Në fillim Perëndia krijoi qiejt e tokën. Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; një terr mbulonte humnerën dhe shpirti i Perëndisë fluturonte mbi ujërat. Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë. Perëndia pa se drita ishte e mirë dhe e ndau dritën nga errësira. Perëndia e quajti dritën ditë, ndërsa errësirën e quajti natë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e parë. Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një kube mes ujërave e le t'i ndajë ujërat nga ujërat». Perëndia e bëri kubenë dhe i ndau ujërat që ishin nën kube prej ujërave që ishin mbi kube. Dhe kështu u bë. Perëndia e quajti kubenë qiell. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e dytë. Pastaj Perëndia tha: «Le të mblidhen ujërat nën qiell në një vend e le të shfaqet tera». Dhe kështu u bë. Perëndia e quajti terën tokë, ndërsa tërësinë e ujërave i quajti dete. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. Perëndia tha: «Le të prodhojë toka bimësi, bimë me farë, pemë frutore që japin fryte me farë, secila sipas llojit të vet, mbi tokë». Dhe kështu u bë. Toka prodhoi bimësi, bimë me farë sipas llojit të vet e pemë frutore me farë sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e tretë. Perëndia tha: «Le të bëhen ndriçues në kubenë e qiellit që të ndajnë ditën nga nata e të shërbejnë si shenjë për stinë, ditë e vite. Le të shkëlqejnë në kubenë e qiellit e ta ndriçojnë tokën». Dhe kështu u bë. Perëndia bëri dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin më të madh për të zotëruar ditën, ndërsa më të voglin për të zotëruar natën e yjet. Perëndia i vendosi në kubenë e qiellit që të ndriçojnë tokën, të zotërojnë ditën e natën e të ndajnë dritën nga errësira. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e katërt. Pastaj Perëndia tha: «Le të gëlojnë ujërat me një mori qeniesh të gjalla e shpendët le të fluturojnë mbi tokë, në kubenë e qiellit». Perëndia krijoi përbindëshat e mëdhenj të detit, çdo qenie të gjallë që lëviz e që mbush ujërat sipas llojit të vet dhe çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. Atëherë Perëndia i bekoi e tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbushni ujërat e detit dhe shpendët le të shumohen mbi tokë». U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e pestë. Pastaj Perëndia tha: «Le të prodhojë toka qenie të gjalla të çdo lloji: bagëti, zvarranikë e kafshë të egra, secila sipas llojit të vet». Dhe kështu u bë. Perëndia bëri kafshët e egra, bagëtitë e zvarranikët e tokës, secilën sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin tonë e le të sundojë mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit, mbi bagëtitë, mbi mbarë tokën e mbi gjithë zvarranikët që zvarriten mbi tokë». Perëndia krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet, në shëmbëlltyrën e Perëndisë e krijoi, mashkull e femër i krijoi. Pastaj Perëndia i bekoi e u tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbusheni tokën e nënshtrojeni. Sundoni mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit e mbi çdo gjallesë që lëviz mbi tokë». Pastaj Perëndia tha: «Ja, ju kam dhënë për ushqim çdo bimë, mbi faqen e tokës, që ka farë e çdo pemë që ka fryte me farë. Dhe kafshëve të egra, shpendëve të qiellit e zvarranikëve të tokës, çdo qenieje të gjallë, u kam dhënë për ushqim gjithë bimësinë». Dhe kështu u bë. Perëndia pa gjithçka që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e gjashtë. Kështu u kryen qielli, toka e gjithçka që është në to. Ditën e shtatë Perëndia e përfundoi punën që kishte bërë. Ditën e shtatë ai pushoi nga të gjitha punët që kishte bërë. Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë, se atë ditë ai pushoi nga çdo gjë që krijoi e bëri. Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës kur u krijuan. Ditën kur Zoti Perëndi krijoi tokën e qiellin, asnjë shkurre e fushës nuk kishte mbirë ende mbi tokë dhe asnjë bar i fushës nuk kishte gjelbëruar ende, se Zoti Perëndi nuk kishte dërguar shi mbi tokë e nuk kishte njeri ta punonte. Megjithatë një burim dilte nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj. Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe i hukati në vrimat e hundës frymën e jetës. Kështu njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. Zoti Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes. Një lumë që buronte nga Edeni, ujiste kopshtin e prej andej ndahej në katër lumenj. I pari quhet Pishon e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka ar. Ari i këtij vendi është i mirë. Aty ka edhe bdel e gur oniksi. I dyti quhet Gihon e rrethon tërë vendin e Kushit. I treti quhet Tigër e rrjedh në lindje të Asirisë. I katërti quhet Eufrat. Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e ta ruante. Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun e i tha: «Nga çdo pemë e kopshtit ha lirisht, por nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes mos ha, sepse ditën që ha prej saj, me të vërtetë do të vdesësh». Pastaj Zoti Perëndi tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Do t'i bëj dikë përkrah si veten e tij ». Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit. I solli para njeriut, për të parë sesi do t'i quante. Çfarëdo emri që njeriu do t'u vinte, ai do të ishte emri i tyre. Kështu njeriu i vuri emër çdo bagëtie, çdo shpendi të qiellit e çdo kafshe të egër. Megjithatë, Adamit nuk iu gjet askush përkrah si vetja e vet. Atëherë Zoti Perëndi e vuri njeriun në gjumë të thellë. Kur e zuri gjumi, i mori një brinjë e në vend të saj i vuri mish. Me brinjën që mori nga njeriu Zoti Perëndi bëri gruan dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu tha: «Kjo tani, është kockë prej kockave të mia, mish prej mishit tim. Do të quhet grua, se nga burri ajo u nxor». Prandaj burri do të lërë të atin e të ëmën, do të bashkohet me gruan e vet e do të bëhen një mish. Njeriu me gruan e tij ishin që të dy lakuriq, por nuk kishin turp. Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që Zoti Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen». Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve. Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi mes pemëve të kopshtit. Zoti Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra». Zoti Perëndi i tha gjarprit: «Për këtë që bëre, mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra. Mbi bark do të zvarritesh e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde. Armiqësi do të shtie mes teje e gruas, mes farës tënde e farës së saj që do të ta shtypë kokën, ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën». Gruas i tha: «Shumë dhimbje barre do të të jap e me mundim do t'i lindësh fëmijët. Burrin tënd do ta dëshirosh, por ai do të sundojë mbi ty». Adamit i tha: «Meqë dëgjove gruan e hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash, mallkuar qoftë toka për shkakun tënd! Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate. Gjemba e ferra do të prodhojë për ty e bimët e fushës do të hash. Me djersën e ballit do ta nxjerrësh bukën e gojës derisa të kthehesh në dhe, se prej tij u nxore, pluhur je e në pluhur do të kthehesh». Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. Zoti Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata. Pastaj Zoti Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë». Prandaj Zoti Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës. Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e Zotit fitova një njeri!». Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën. Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi Zotit nga frytet e tokës. Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. Zoti e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij, ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra. Zoti i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra? Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk vepron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh». Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau. Zoti i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!». Zoti i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd. Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë». Kaini i tha Zotit: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj. Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë». Zoti i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe Zoti i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë. Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit. Kaini fjeti me gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe e quajti Enok, sipas emrit të të birit. Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli e Metushaelit i lindi Lameku. Lameku mori dy gra. Njëra quhej Ada, ndërsa tjetra Zila. Ada lindi Jabalin. Ky ishte ati i atyre që banojnë në tenda e kullotin bagëtitë. Vëllai i tij quhej Jubal. Ky ishte ati i atyre që i bien qestes e fyellit. Zila lindi edhe Tubal Kainin. Ky ishte farkëtar i çdo vegle prej bronzi e hekuri. Motra e Tubal Kainit ishte Naama. Lameku u tha grave të veta: «Adë e Zilë, dëgjoni zërin tim. O gratë e Lamekut, mbani vesh fjalën time: për një plagë vrava një burrë, për një të goditur, një djalosh. Shtatëfish iu mor haku Kainit e Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë». Adami fjeti përsëri me gruan e tij. Ajo lindi djalë dhe e quajti Set. Prandaj tha: «Perëndia më dha një pasardhës tjetër në vend të Abelit që ma vrau Kaini». Edhe Setit i lindi djalë dhe e quajti Enosh. Asokohe filloi të thirret emri i Zotit. Ky është libri i breznive të Adamit. Kur Perëndia krijoi njeriun, në përngjasimin e Perëndisë e krijoi. Mashkull e femër i krijoi, i bekoi dhe ditën kur i krijoi i quajti «njeri». Adami ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur i lindi një djalë në përngjasimin e në shëmbëlltyrën e tij dhe e quajti Set. Adami jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Seti e pati bij e bija të tjera. Kështu, Adami jetoi nëntëqind e tridhjetë vjet dhe vdiq. Seti ishte njëqind e pesë vjeç kur i lindi Enoshi. Seti jetoi tetëqind e shtatë vjet pasi i lindi Enoshi e pati bij e bija të tjera. Kështu, Seti jetoi nëntëqind e dymbëdhjetë vjet dhe vdiq. Enoshi ishte nëntëdhjetë vjeç kur i lindi Kenani. Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Kenani e pati bij e bija të tjera. Kështu, Enoshi jetoi nëntëqind e pesë vjet dhe vdiq. Kenani ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindi Mahalaleli. Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet pasi i lindi Mahalaleli e pati bij e bija të tjera. Kështu, Kenani jetoi nëntëqind e dhjetë vjet dhe vdiq. Mahalaleli ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Jaredi. Mahalaleli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Jaredi e pati bij e bija të tjera. Kështu, Mahalaleli jetoi tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe vdiq. Jaredi ishte njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjeç kur i lindi Enoku. Jaredi jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Enoku e pati bij e bija të tjera. Kështu, Jaredi jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe vdiq. Enoku ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Metushelahu. Enoku jetoi me Perëndinë për treqind vjet pasi i lindi Metushelahu e pati bij e bija të tjera. Kështu, Enoku jetoi treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. Ai jetoi me Perëndinë e nuk u gjet më, se e mori Perëndia. Metushelahu ishte njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjeç kur i lindi Lameku. Metushelahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet pasi i lindi Lameku e pati bij e bija të tjera. Kështu, Metushelahu jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet dhe vdiq. Lameku ishte njëqind e tetëdhjetë e dy vjeç kur i lindi një djalë. E quajti Noe e tha: «Ky do të na çlodhë nga puna e nga mundimi i duarve tona për shkak të tokës që Zoti mallkoi». Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet pasi i lindi Noeu e pati bij e bija të tjera. Kështu, Lameku jetoi shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet dhe vdiq. Noeu ishte pesëqind vjeç kur i lindën Semi, Kami e Jafeti. Kur njeriu filloi të shumohet mbi faqen e tokës e i lindën bija, bijtë e Perëndisë panë se bijat e njeriut ishin të bukura dhe morën për gra ato që zgjodhën. Zoti tha: «Shpirti im nuk do të qëndrojë me njeriun përgjithmonë, sepse ai është mish dhe ditët e jetës së tij do të jenë njëqind e njëzet vjet». Në ato kohë nefilimët jetonin në tokë, po ashtu edhe më vonë kur bijtë e Perëndisë morën për gra bijat e njeriut dhe ato u lindën fëmijë. Këta ishin kreshnikët e lashtësisë, njerëz me emër. Zoti pa se ligësia e njeriut mbi tokë ishte e madhe dhe, tërë kohën, mendimet e zemrës së tij nuk synonin gjë tjetër veçse të keqen. Zotit i erdhi keq që kishte bërë njeriun mbi tokë dhe u pikëllua në zemër. Zoti tha: «Do ta shuaj nga faqja e dheut njeriun që krijova, njeriun bashkë me bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit, se u pendova që i krijova». Por Noeu gjeti hir para Zotit. Kjo është historia e Noeut. Noeu ishte njeri i drejtë, i patëmetë ndër bashkëkohësit e tij dhe jetonte me Perëndinë. Atij i lindën tre djem, Semi, Kami e Jafeti. Toka ishte shthurur para syve të Perëndisë e ishte mbushur me dhunë. Perëndia pa tokën dhe, ja, ajo ishte e prishur pasi çdo njeri mbi tokë bënte jetë të shthurur. Perëndia i tha Noeut: «Kam vendosur t'i jap fund çdo njeriu, se e kanë mbushur tokën me dhunë. Ja, do t'i zhduk bashkë me tokën. Bëj një arkë me dru goferi, bëje me dhoma e lyeje brenda e jashtë me zift. Ja si do ta bësh: treqind kute të gjatë, pesëdhjetë kute të gjerë e tridhjetë kute të lartë. Bëj një çati për arkën e ngrije një kut më lart. Derën e arkës vëre anash e bëj një kat përdhe, një të dytë e një të tretë. Dhe ja, unë do të sjell përmbytjen mbi tokë që të mbytë çdo qenie të gjallë nën qiell. Çdo gjë që është mbi tokë do të marrë fund. Por besëlidhjen time do ta bëj me ty e ti, bashkë me bijtë e tu, me gruan tënde e me gratë e bijve të tu, do të hysh në arkë. Dhe nga çdo gjallesë e gjë e gjallë do të marrësh në arkë dy prej çdo lloji, që të mbeten gjallë bashkë me ty. Mashkull e femër do të jenë. Prej shpendëve sipas llojit të tyre, prej bagëtive sipas llojit të tyre e prej çdo zvarraniku të tokës sipas llojit të tyre, dy prej çdo lloji do të vijnë te ti që të mbeten gjallë. Merr e grumbullo për vete prej çdo lloji ushqimi që hahet. Do të jetë ushqim për ty e për kafshët». Dhe Noeu kështu veproi. Bëri gjithçka siç e kishte urdhëruar Perëndia. Zoti i tha Noeut: «Hyr në arkë, ti e gjithë familja jote, sepse në këtë brezni ty të gjeta të drejtë. Prej çdo kafshe që është e pastër, merr me vete shtatë çifte, mashkull e femër, ndërsa prej kafshëve të papastra merr një çift, mashkull e femër. Po ashtu, prej shpendëve të qiellit merr shtatë çifte, mashkull e femër, që fara e tyre të mbetet gjallë mbi tërë faqen e dheut. Sepse pas shtatë ditësh, unë do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e net dhe do të shuaj nga faqja e tokës çdo gjë të gjallë që bëra». Noeu bëri gjithçka që Zoti i urdhëroi. Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur u përmbyt toka. Ai hyri në arkë bashkë me të bijtë, me të shoqen e me gratë e bijve të tij për t'u shpëtuar ujërave të përmbytjes. Prej kafshëve të pastra e të papastra, prej shpendëve e prej çdo zvarraniku mbi tokë, dy e nga dy, mashkull e femër, erdhën te Noeu dhe hynë në arkë, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. Dhe pas shtatë ditësh ujërat e përmbytjes vërshuan mbi tokë. Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të dytë, shpërthyen tërë burimet e humnerës së madhe dhe kanatet e qiellit u hapën. Mbi tokë ra shi për dyzet ditë e net. Në të njëjtën ditë Noeu e bijtë e tij, Kami, Semi e Jafeti, bashkë me të shoqen dhe me tri gratë e bijve të tij, hynë në arkë. Ata e çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo bagëti sipas llojit të vet e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë sipas llojit të vet, çdo shpend sipas llojit të vet e çdo zog fluturak erdhën te Noeu e hynë në arkë, dy e nga dy nga çdo qenie e gjallë. Nga çdo qenie e gjallë hynë mashkull e femër, ashtu siç Perëndia e kishte urdhëruar Noeun. Pastaj Zoti e mbylli arkën. Toka u përmbyt për dyzet ditë. Ujërat u shtuan dhe e ngritën arkën nga toka. Ujërat u rritën e u shtuan shumë mbi tokë, por arka lundronte mbi ujë. Ato u rritën aq shumë saqë mbuluan tërë malet e larta nën tërë qiellin. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kute mbi to e malet u mbuluan. Kështu mori fund çdo qenie e gjallë që lëviz mbi tokë: shpendët, bagëtitë, kafshët e egra, tërë zvarranikët që zvarriten mbi tokë dhe gjithë njerëzimi. Vdiq gjithçka e gjallë mbi dhe. Ai shuajti çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit. Ato u shuan nga toka. Vetëm Noeu e ata që ishin me të në arkë mbetën gjallë. Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë. Perëndia u kujtua për Noeun e të gjitha kafshët e egra dhe bagëtitë që ishin me të në arkë. Ai dërgoi një erë mbi tokë e ujërat u ulën. Burimet e humnerës dhe kanatet e qiellit u mbyllën. Shiu nga qielli pushoi. Ujërat sa vinin e tërhiqeshin nga toka dhe pas njëqind e pesëdhjetë ditësh u pakësuan. Në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë arka u ndal mbi malet e Araratit. Ujërat vazhduan të pakësoheshin deri në muajin e dhjetë. Në ditën e parë të muajit të dhjetë u dukën majat e maleve. Pasi kaluan dyzet ditë, Noeu hapi dritaren e arkës që kishte bërë dhe lëshoi një korb që shkonte e vinte derisa u thanë ujërat mbi tokë. Pastaj lëshoi një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin ulur nga faqja e dheut. Por pëllumbi nuk gjeti ku të vinte këmbën e u kthye tek ai në arkë, sepse ujërat mbulonin tërë faqen e tokës. Kështu Noeu zgjati dorën, e kapi dhe e futi në arkë. Pasi priti shtatë ditë të tjera, e lëshoi përsëri pëllumbin nga arka. Pëllumbi erdhi tek ai në mbrëmje, dhe ja, në sqep mbante një gjethe ulliri të sapokëputur. Noeu e kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka. Pastaj priti edhe shtatë ditë të tjera. E lëshoi edhe një herë pëllumbin dhe ky nuk u kthye më. Në ditën e parë të muajit të parë të vitit gjashtëqind e një, ujërat u thanë nga toka dhe Noeu hoqi mbulesën e arkës. Vështroi dhe, ja, faqja e tokës ishte tharë. Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dytë toka u tha. Atëherë Perëndia i tha Noeut: «Dil nga arka, ti bashkë me gruan tënde, me bijtë e tu e me gratë e bijve të tu. Të gjitha kafshët e çdo lloji që janë me ty, shpendët, bagëtitë e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë, nxirri që të mbushin tokën, të shtohen e të shumohen mbi tokë». Kështu, Noeu doli bashkë me të bijtë, të shoqen e gratë e bijve të tij. Tërë kafshët, zvarranikët e shpendët, gjithçka që lëviz mbi tokë, dolën nga arka sipas specieve të tyre. Pastaj Noeu i ngriti një altar Zotit e mbi të i kushtoi një fli shkrumbimi nga çdo kafshë e shpend i pastër. Zoti ndjeu erën e këndshme e tha në zemrën e vet: «Nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së tij janë të liga që në moshë të re. Dhe as nuk do t'i godas më gjallesat, siç bëra. Sa të jetë toka, të mbjellat e të korrat, i ftohti e i nxehti, vera e dimri, dita e nata, nuk do të marrin fund». Perëndia e bekoi Noeun dhe bijtë e tij e u tha: «Shtohuni, shumohuni e mbushni tokën. Frikë e tmerr do të jeni për të gjitha kafshët e tokës, për gjithë shpendët e qiellit, për gjithçka që lëviz mbi dhe, e për gjithë peshqit e detit, se janë lënë në dorën tuaj. Do të keni për ushqim çdo gjë të gjallë që lëviz. Po ju jap gjithçka, ashtu siç ju dhashë çdo bimë të gjelbër. Por nuk do të hani mish të gjallë, domethënë me gjak. Edhe për gjakun e jetëve tuaja do të kërkoj shpagim. Do ta kërkoj jetën e njeriut prej çdo kafshe, prej njeriut e prej vëllait të tij. Ai që derdh gjak njeriu, prej njeriut do t'i derdhet gjaku, se në shëmbëlltyrën e vet e bëri Perëndia njeriun. Ju, pra, shtohuni e shumohuni, mbushni tokën e shumohuni mbi të». Atëherë Perëndia i tha Noeut e bijve të tij: «Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju e me pasardhësit tuaj pas jush, me çdo qenie të gjallë që është me ju, me shpendët, bagëtitë e çdo kafshë të egër që është me ju, me ato që dolën nga arka e me çdo kafshë të tokës. Po e lidh besëlidhjen time me ju që të mos vdesë më asnjë qenie e gjallë nga ujërat e përmbytjes e të mos ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën». Perëndia tha: «Për gjithë breznitë e ardhshme, kjo është shenja e besëlidhjes që unë po bëj mes meje e jush dhe me çdo qenie të gjallë që është me ju. Kam vënë mbi re harkun tim dhe ai do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje e tokës. Kur ta mbuloj tokën me re e harku të shfaqet mbi to, do të kujtoj besëlidhjen time mes meje e jush dhe me çdo lloj qenie të gjallë, kështu ujërat nuk do ta përmbytin më e nuk do të shkatërrojnë tërë qeniet e gjalla. Kur harku të jetë mbi re, do ta shoh e do të kujtoj besëlidhjen e përjetshme mes Perëndisë e çdo lloj qenieje të gjallë mbi tokë». Perëndia i tha Noeut: «Kjo është shenja e besëlidhjes që kam vendosur mes meje e çdo qenieje të gjallë mbi tokë». Bijtë e Noeut që dolën nga arka ishin Semi, Kami e Jafeti. Kami ishte ati i Kanaanit. Këta të tre ishin bijtë e Noeut dhe prej tyre u popullua e gjithë toka. Noeu filloi të kultivojë tokën e mbolli një vresht. Ai piu verë, u deh e u zhvesh në mes të tendës. Kami, ati i Kanaanit, pa lakuriqësinë e të atit dhe u tregoi dy vëllezërve që ishin jashtë. Atëherë Semi e Jafeti morën një rrobë, e vunë mbi krahë dhe duke ecur mbrapsht mbuluan lakuriqësinë e të atit. Ishin me fytyrë mbrapa e kështu nuk e panë lakuriqësinë e të atit. Kur i doli pija, Noeu mori vesh se çfarë i kishte bërë djali i vogël e tha: «Mallkuar qoftë Kanaani! Shërbëtor i shërbëtorëve do të jetë për vëllezërit e vet!». Po ashtu tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit. Kanaani qoftë shërbëtori i tij! Perëndia i zgjeroftë kufijtë e Jafetit e ky banoftë në tendën e Semit. Kanaani qoftë shërbëtori i tij!». Pas përmbytjes Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet. Kështu, Noeu jetoi nëntëqind e pesëdhjetë vjet dhe vdiq. Këta janë pasardhësit e bijve të Noeut: Semi, Kami e Jafeti. Këtyre u lindën fëmijë pas përmbytjes. Bijtë e Jafetit ishin Gomeri, Magogu, Madai, Javani, Tubali, Mesheku e Tirasi. Bijtë e Gomerit ishin Ashkenazi, Rifati e Togarmahu. Bijtë e Javanit ishin Elishahu, Tarshishi, Kitimi e Dodanimi. Prej tyre dolën popujt bregdetarë e u vendosën nëpër vendet e tyre, secili sipas gjuhës së vet, sipas familjeve e kombeve të tyre. Bijtë e Kamit ishin Kushi, Micraimi, Puti e Kanaani. Bijtë e Kushit ishin Sebai, Havilahu, Sabtai, Ramai e Sabtekai. Bijtë e Ramait ishin Shebai e Dedani. Kushit i lindi Nimrodi. Ai u bë kreshniku i parë në tokë. Ai ishte gjahtar i fuqishëm para Zotit, prandaj edhe thuhet: «Si Nimrodi, gjahtar i fuqishëm para Zotit ». Mbretëria e tij filloi në Babel, Erek, Akad e Kalneh në tokën e Shinarit. Prej andej doli në Asiri dhe ndërtoi Ninivën, Rehobotirin, Kalahun e Resenin që është mes Ninivës e Kalahut. Reseni është qyteti i madh. Micraimit i lindën luditët, anamitët, lehabitët, naftuhitët, patrusitët e kasluhitët. Prej tyre dolën filistinët e kaftoritët. Kanaanit i lindën Sidoni, i parëlinduri, Heti, jebusitët, amoritët, girgashitët, hivitët, arkitët, sinitët, arvaditët, cemaritët e hamatitët. Më pas familjet e kananitëve u shpërndanë. Kufiri i Kanaanit shkonte nga Sidoni drejt Gerarit deri në Gazë, në drejtim të Sodomës, Gomorrës, Admës e Ceboimit deri në Lasha. Këta janë bijtë e Kamit sipas familjeve e gjuhëve të tyre, në vendet e kombet e tyre. Edhe Semit i lindën bij. Ai është ati i gjithë bijve të Eberit dhe vëllai i madh i Jafetit. Bijtë e Semit ishin Elami, Ashuri, Arpahshadi, Ludi e Arami. Bijtë e Aramit ishin Uci, Huli, Geteri e Mashi. Arpahshadit i lindi Shelahu. Shelahut i lindi Eberi. Eberit i lindën dy bij. Njëri quhej Peleg, se në kohën e tij u nda toka. Vëllai i tij quhej Joktan. Joktanit i lindi Almodadi, Shelefi, Hacarmaveti, Jerahu, Hadorami, Uzali, Diklahu, Obali, Abimaeli, Shebai, Ofiri, Havilahu e Jobabi. Të gjithë këta ishin bijtë e Joktanit. Vendbanimi i tyre shtrihej prej Meshait deri në Sefar, një mal në lindje. Këta ishin bijtë e Semit sipas familjeve e gjuhëve të tyre, në vendet e kombet e tyre. Këto janë familjet e bijve të Noeut sipas breznive e kombeve të tyre. Pas përmbytjes, kombet u përhapën mbi tokë prej tyre. E gjithë toka fliste një gjuhë e të njëjtat fjalë. Kur udhëtuan nga lindja, njerëzit gjetën një fushë në tokën e Shinarit dhe banuan atje. E i thanë njëri-tjetrit: «Ejani, le të bëjmë tulla e t'i pjekim në zjarr». Kështu, ata përdorën tulla në vend të gurit e zift në vend të baltës. E thanë: «Ejani, të ndërtojmë për vete një qytet e një kullë, maja e të cilës të prekë qiellin, që të bëjmë emër e të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut». Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njeriut po ndërtonin. E Zoti tha: «Ja, ata janë një popull e flasin të gjithë një gjuhë dhe ky është vetëm fillimi i veprave të tyre. Tani, asgjë nga çfarë kanë ndër mend të bëjnë nuk do të jetë e pamundur për ta. Ejani të zbresim e mu atje t'ua përziejmë gjuhën, që të mos e kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit». Atëherë Zoti i shpërndau prej andej mbi faqen e tërë dheut dhe ata reshtën së ndërtuari qytetin. Prandaj edhe quhet Babel, se atje Zoti përzjeu gjuhën e gjithë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut. Këta janë pasardhësit e Semit: Semi ishte njëqind vjeç kur i lindi Arpahshadi, dy vjet pas përmbytjes. Semi jetoi pesëqind vjet pasi i lindi Arpahshadi dhe pati bij e bija të tjera. Arpahshadi ishte tridhjetë e pesë vjeç kur i lindi Shelahu. Arpahshadi jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Shelahu dhe pati bij e bija të tjera. Shelahu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Eberi. Shelahu jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Eberi dhe pati bij e bija të tjera. Eberi ishte tridhjetë e katër vjeç kur i lindi Pelegu. Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Pelegu dhe pati bij e bija të tjera. Pelegu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Reui. Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet pasi i lindi Reui dhe pati bij e bija të tjera. Reui ishte tridhjetë e dy vjeç kur i lindi Serugu. Reui jetoi dyqind e shtatë vjet pasi i lindi Serugu dhe pati bij e bija të tjera. Serugu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Nahori. Serugu jetoi dyqind vjet pasi i lindi Nahori dhe pati bij e bija të tjera. Nahori ishte njëzet e nëntë vjeç kur i lindi Terahu. Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Terahu dhe pati bij e bija të tjera. Terahu ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindën Abrami, Nahori e Harani. Këta janë pasardhësit e Terahut: Terahut i lindën Abrami, Nahori e Harani. Haranit i lindi Loti. Harani vdiq në tokën e vendlindjes, në Ur të kaldenjve, para Terahut, të atit. Abrami e Nahori morën gra. Gruaja e Abramit quhej Sarajë, ndërsa gruaja e Nahorit quhej Milka, e bija e Haranit që është ati i Milkës e Iskës. Saraja ishte beronjë e nuk kishte fëmijë. Terahu mori me vete të birin, Abramin, të nipin, Lotin, që ishte biri i Haranit, e Sarajën, të renë, gruan e të birit, dhe dolën nga Uri i kaldenjve për të shkuar drejt tokës së Kanaanit. Arritën në Haran e banuan atje. Terahu jetoi dyqind e pesë vjet e vdiq në Haran. Zoti i tha Abramit: «Dil nga vendi yt, nga farefisi yt e nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. Do të të bëj komb të madh e do të të bekoj. Emrin tënd do ta bëj të madh e bekim do të jesh. Do të bekoj këdo që të bekon, por atë që të përçmon do ta mallkoj. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty». Atëherë Abrami bëri siç i tha Zoti. Me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani. Ai mori me vete Sarajën, të shoqen, nipin e tij, Lotin, dhe tërë pasurinë e njerëzit që kishin mbledhur në Haran e u nisën drejt tokës së Kanaanit. Kur arritën në tokën e Kanaanit, Abrami përshkoi vendin deri te lisi i Morehut në Shekem. Në atë kohë, në atë vend banonin kananitët. Zoti iu shfaq Abramit e tha: «Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë vend». Atëherë Abrami i ngriti aty një altar Zotit që i ishte shfaqur. Prej andej u shpërngul drejt malit në lindje të Betelit dhe ngriti tendën mes Betelit në perëndim e Ajit në lindje. Edhe aty i ngriti një altar Zotit e thirri emrin e tij. Pastaj Abrami u ngrit e vijoi udhëtimin drejt Negevit. Vendin e pllakosi një zi buke aq e rëndë, saqë Abrami shkoi në Egjipt për të banuar në dhe të huaj. Kur po hynte në Egjipt, Abrami i tha Sarajës, gruas së tij: «E di që je grua e bukur dhe kur të të shohin egjiptianët, do të thonë: “Kjo është gruaja e tij”. Kështu mua do të më vrasin, kurse ty do të të lënë gjallë. Thuaj që je ime motër, që të më trajtojnë mirë për shkakun tënd e jeta të më kursehet falë teje». Kur Abrami hyri në Egjipt, egjiptianët panë se gruaja ishte shumë e bukur. Edhe oborrtarët e faraonit e panë dhe ia lavdëruan faraonit. Atëherë, gruan e morën në shtëpinë e faraonit. Për shkak të saj faraoni e trajtoi mirë Abramin, i cili përfitoi dhen, qe e gomarë, shërbëtorë e shërbëtore, gomarica e deve. Por Zoti e dënoi me plagë të rënda faraonin dhe shtëpinë e tij për shkak të Sarajës, gruas së Abramit. Atëherë faraoni e thirri Abramin e i tha: «Ç'është kjo që më bëre? Përse nuk më tregove që është gruaja jote. Përse the se është jot motër e unë e mora për grua? Dhe tani, ja ku e ke gruan tënde. Merre, pra, e shko!». Faraoni u dha urdhër njerëzve të vet dhe ata e larguan Abramin, bashkë me të shoqen, e gjithçka i përkiste. Abrami shkoi nga Egjipti në Negev bashkë me të shoqen e me gjithçka kishte. Me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend e ar. Ai vazhdoi udhëtimin nga Negevi deri në Betel, deri në vendin ku kishte ngritur më parë tendën, mes Betelit e Ajit, aty ku në fillim kishte ngritur një altar. Atje Abrami thirri emrin e Zotit. Edhe Loti, që udhëtonte me Abramin, kishte dhen, qe e tenda. Nuk kishte vend për të dy, se pasuria e tyre ishte aq e madhe, saqë nuk mund të jetonin bashkë. Kështu, filloi një grindje mes barinjve të bagëtive të Abramit e barinjve të bagëtive të Lotit. Në atë kohë, në atë vend jetonin kananitët e perizitët. Atëherë Abrami i tha Lotit: «Të mos ketë grindje mes nesh, mes barinjve të mi e barinjve të tu, se jemi vëllezër. A nuk është e gjithë toka përpara teje? Le të ndahemi. Nëse shkon në të majtë, unë do të marr në të djathtë. E nëse shkon në të djathtë, unë do të marr në të majtë». Loti ngriti sytë e pa se gjithë lugina e Jordanit deri në Coar ujitej si kopshti i Zotit, si toka e Egjiptit, përpara se Zoti të shkatërronte Sodomën e Gomorrën. Loti zgjodhi për vete gjithë luginën e Jordanit e udhëtoi drejt lindjes. Kështu, u ndanë nga njëri-tjetri. Abrami banoi në tokën e Kanaanit, ndërsa Loti banoi në qytetet e luginës dhe ngriti tendat pranë Sodomës. Mirëpo njerëzit e Sodomës ishin shumë të ligj e mëkatarë para Zotit. Pasi Loti u largua prej tij, Zoti i tha Abramit: «Ngriji sytë dhe, nga vendi ku je, shiko drejt veriut e jugut, drejt lindjes e perëndimit, sepse të gjithë tokën që sheh, do të ta jap ty e pasardhësve të tu përgjithmonë. Dhe do t'i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës. Nëse dikush do të mund ta numërojë pluhurin e tokës, edhe pasardhësit e tu do të numërohen. Ngrihu e bjeri tokës për së gjati e për së gjeri, sepse ty do të ta jap». Atëherë Abrami ngriti tendat dhe shkoi e banoi ndër lisat e Mamreut që janë në Hebron. Atje i ngriti një altar Zotit. Në atë kohë Amrafeli, mbreti i Shinarit, Arjoku, mbreti i Elasarit, Kedorlaomeri, mbreti i Elamit e Tidali, mbreti i Gojimit bënë luftë kundër Berait, mbretit të Sodomës, Birshait, mbretit të Gomorrës, Shinabit, mbretit të Admës, e Shemeberit, mbretit të Ceboimit e të Belës që është Coari. Të gjithë këta të fundit u bashkuan në luginën e Sidimit që është deti i Kripur. Për dymbëdhjetë vjet ata i shërbyen Kedorlaomerit, por në vitin e trembëdhjetë ngritën krye. Në vitin e katërmbëdhjetë, Kedorlaomeri e mbretërit bashkë me të erdhën e i mundën refaitët në Ashterot Karnaim, zuzitët në Ham, emitët në Shaveh Kirjataim e horitët në malet e tyre të Seirit deri në El Paran që është pranë shkretëtirës. Pastaj ata u kthyen e shkuan në En Mishpat, që është në Kadesh, e u ranë të gjitha krahinave të amalekitëve e amoritëve që banonin në Hacecon Tamar. Atëherë u çua mbreti i Sodomës, mbreti i Gomorrës, mbreti i Admës, mbreti i Ceboimit e mbreti i Belës, që është Coari, e u rreshtuan për luftë në luginën e Sidimit kundër Kedorlaomerit, mbretit të Elamit, Tidalit, mbretit të Gojimit, Amrafelit, mbretit të Shinarit e Arjokut, mbretit të Elasarit. Katër mbretër kundër pesë të tjerëve. Lugina e Sidimit ishte plot me puse zifti. Mbretërit e Sodomës e Gomorrës ia mbathën e ranë në to, ndërsa ata që shpëtuan ikën maleve. Të katër mbretërit plaçkitën tërë pasurinë e Sodomës e të Gomorrës dhe gjithë ushqimet e tyre e u larguan. Ata zunë edhe Lotin, nipin e Abramit, që banonte në Sodomë, bashkë me pasurinë e tij, e u larguan. Një prej atyre që kishin shpëtuar erdhi dhe e njoftoi Abram Hebreun që banonte pranë lisave të Mamre Amoritit. Ky ishte i vëllai i Eshkolit dhe Anerit që ishin aleat me Abramin. Kur Abrami dëgjoi se i nipi u zu rob, ngriti për luftë treqind e tetëmbëdhjetë njerëz të stërvitur, të lindur në shtëpinë e tij, e i ndoqi mbretërit deri në Dan. Gjatë natës, i ndau shërbëtorët në grupe kundër tyre. I mundi mbretërit e i ndoqi deri në Hobah që është në veri të Damaskut. Pastaj rimori gjithë pasurinë. Mori edhe nipin e tij, Lotin, bashkë me pasurinë e tij, me gratë e popullin. Kur Abrami po kthehej, pasi kishte mposhtur Kedorlaomerin e mbretërit që ishin me të, mbreti i Sodomës doli ta takonte në luginën e Shavehut. Ajo është lugina e Mbretit. Atëherë Melkisedeku, mbreti i Salemit, solli bukë e verë. Ai ishte prifti i Perëndisë së tejlartë. Ai e bekoi e tha: «Bekuar qoftë Abrami nga Perëndia i tejlartë, krijues i qiellit e i tokës! Bekuar qoftë Perëndia i tejlartë, që t'i dorëzoi ty armiqtë!». Atëherë Abrami i dha të dhjetën e çdo gjëje. Mbreti i Sodomës i tha Abramit: «M'i kthe njerëzit, ndërsa pasurinë mbaje për vete». Abrami i tha mbretit të Sodomës: «Jam betuar para Zotit, Perëndisë së tejlartë, krijuesit të qiellit e tokës, se nuk do të marr asnjë fije peri e asnjë lidhëse sandalesh, asgjë prej gjërave që të përkasin, që të mos thuash: “Unë e bëra Abramin të pasur”. Nuk do të marr asgjë për vete, përveçse çfarë hëngrën djemtë e pjesën që u përket burrave që erdhën me mua, Anerit, Eshkolit e Mamreut. Këta le të marrin pjesën e tyre». Pas këtyre ngjarjeve, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në një vegim: «Abram, mos ki frikë. Unë jam mburoja jote. Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh!». Abrami tha: «O Zot, Zoti im, çfarë do të më japësh kur jam pa fëmijë e trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri i Damaskut?». Pastaj tha: «Ti nuk më ke dhënë pasardhës dhe, ja, një shërbëtor do të jetë trashëgimtari im». Dhe, ja, fjala e Zotit iu drejtua: «Trashëgimtari yt nuk do të jetë ky, por ai që do të dalë prej trupit tënd, ai do të jetë trashëgimtari yt». Pastaj e nxori jashtë e i tha: «Shiko qiellin e numëroji yjet, po munde! Kaq të shumtë do të jenë trashëgimtarët e tu». Abrami besoi në Zotin e Zoti ia numëroi për drejtësi. Ai i tha: «Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i kaldenjve për të të dhënë si trashëgimi këtë tokë». Abrami iu përgjigj: «O Zot, Zoti im, nga do ta di unë se do ta trashëgoj?». Ai i tha: «Më sill një mëshqerrë tri vjeçe, një dhi e një dash tre vjeç, një turtull e një pëllumb të ri». Abrami ia solli të gjitha këto. I preu më dysh dhe i vuri gjysmat përballë njëra-tjetrës, por zogjtë nuk i preu. Disa shpendë grabitqarë u lëshuan mbi to, por Abrami i dëboi. Në të perënduar, Abramin e kapi një gjumë i thellë dhe, ja, e pllakosi një frikë e errët dhe e madhe. Dhe Zoti i tha Abramit: «Dije mirë se pasardhësit e tu do të banojnë në vend të huaj e do të jenë skllevër e të shtypur për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin, të cilit do t'i shërbejnë e pas kësaj do të dalin me pasuri të mëdha. Ndërsa ti do të bashkohesh me etërit e tu në paqe e do të varrosesh pas një pleqërie të mbarë. Në brezninë e katërt, pasardhësit e tu do të kthehen këtu pasi ligësia e amoritëve nuk e ka arritur ende kulmin». Kur perëndoi dielli, u bë errësirë dhe, ja, u duk një mangall me tym e një pishtar zjarri, i cili përshkoi gjysmat e prera. Atë ditë Zoti lidhi një besëlidhje me Abramin e tha: «Pasardhësve të tu po ua jap këtë tokë, nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, Eufratin, tokën e kenitëve, e kenizitëve, e kadmonitëve, e hititëve, e perizitëve, e refaitëve, e amoritëve, e kananitëve, e girgashitëve, e jebusitëve». Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë fëmijë. Ajo kishte një skllave egjiptiane që quhej Hagarë. Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ja, Zoti më ka bërë beronjë. Fli me skllaven time e ndoshta prej saj do të kem fëmijë ». Abrami ia dëgjoi fjalën Sarajës. Dhjetë vjet pasi Abrami banoi në tokën e Kanaanit, Saraja, gruaja e Abramit, mori Hagarën, skllaven e saj egjiptiane e ia dha për grua Abramit, burrit të saj. Ai fjeti me Hagarën e ajo mbeti shtatzënë. Kur pa se kishte mbetur shtatzënë, ajo filloi ta shpërfillte zonjën e saj. Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti je përgjegjës për këtë fyerje. Isha unë ajo që ta lëshova në krahët e tu skllaven time e kur ajo pa që mbeti shtatzënë filloi të më shpërfillë. Zoti gjykoftë mes meje e teje!». Por Abrami i tha Sarajës: «Ja ku e ke skllaven tënde. Bëj me të si të duash». Atëherë Saraja u soll ashpër me Hagarën e ajo iku prej saj. Engjëlli i Zotit e gjeti Hagarën pranë një burimi në shkretëtirë, te burimi udhës për në Shur. Ai i tha: «Hagarë, skllavja e Sarajës, nga po vjen e ku po shkon?». Ajo u përgjigj: «Po largohem nga zonja ime, Saraja». Engjëlli i Zotit i tha: «Kthehu te zonja jote e nënshtroju asaj». E i tha: «Do t'i shumoj pasardhësit e tu aq shumë saqë nuk do të mund të numërohen». Engjëlli i Zotit i tha: «Ja, ti je shtatzënë, do të lindësh djalë e do ta quash Ishmael, se Zoti e dëgjoi vuajtjen tënde. Ai do te jetë si gomar i egër mes njerëzve. Dora e tij do të jetë kundër të gjithëve e dora e të gjithëve kundër tij. E do të jetojë në kundërshti me vëllezërit e tij». Atëherë ajo thirri emrin e Zotit, që i foli, e tha: «Ti je Perëndia që këqyr, se këtu pashë me të vërtetë atë që këqyr». Prandaj edhe burimi quhet Ber Lahaj Roi e ndodhet mes Kadeshit e Beredit. Hagara i lindi Abramit një djalë dhe Abrami e quajti, djalin e lindur nga Hagara, Ishmael. Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç kur Hagara i lindi Ishmaelin. Kur Abrami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i gjithëpushtetshëm. Jeto me mua e ji i paqortueshëm. Unë do të lidh besëlidhjen time me ty e do të të shumoj pa masë». Abrami ra me fytyrë përdhe e Perëndia i tha: «Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ty: do të bëhesh atë i shumë kombeve. Nuk do të quhesh më Abram, por Abraham, sepse të kam bërë atë të shumë kombeve. Do të të shumoj pa masë. Prej teje do të nxjerr kombe e prej teje do të lindin mbretër. Do ta bëj besëlidhjen time me ty e me pasardhësit e tu brez pas brezi, një besëlidhje të përjetshme, për të qenë Perëndia yt dhe i pasardhësve të tu. Ty e pasardhësve të tu, do t'ju jap si pronë të përjetshme tokën në të cilën banon si i huaj dhe tërë tokën e Kanaanit. Unë do të jem Perëndia i tyre». Perëndia i tha Abrahamit: «Sa për ty, ti do të mbash besëlidhjen time, ti e pasardhësit e tu brez pas brezi. Besëlidhja që ti e pasardhësit e tu duhet të mbani është kjo: gjithë meshkujt tuaj do të rrethpriten. Do të rrethpriteni në lëkurën e gjymtyrës mashkullore e kjo do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje e jush. Çdo mashkull, brez pas brezi, do të rrethpritet tetë ditë pas lindjes, edhe i linduri në shtëpi, edhe i huaji i blerë me para që nuk është pasardhësi yt. Duhen rrethprerë si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, edhe ai i blerë me para. Besëlidhja ime do të jetë në mishin tuaj një besëlidhje e përjetshme. Mashkulli i parrethprerë, që nuk rrethpritet në lëkurën e gjymtyrës mashkullore, do të zhbihet prej popullit të vet, sepse ka thyer besëlidhjen time». Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: «Gruan tënde nuk do ta quash më Sarajë, por Sara. Do ta bekoj, madje prej saj do të të jap një djalë. Do ta bekoj e prej saj do të lindin kombe e do të dalin mbretër kombesh». Abrahami ra me fytyrë përdhe, qeshi e tha me vete: «A mundet burri njëqind vjeç të bëhet me djalë e Sara nëntëdhjetëvjeçe të lindë?!». Atëherë Abrahami i tha Perëndisë: «Mjaft që ta kem me jetë Ishmaelin në praninë tënde!». Por Perëndia tha: «Jo, jo. Sara, gruaja jote, do të të lindë djalë e do ta quash Isak. Besëlidhjen time me të do ta bëj një besëlidhje të përjetshme, edhe për pasardhësit e tij. Sa për Ishmaelin, të dëgjova dhe, ja, do ta bekoj e do ta shtoj e shumoj pa masë. Dymbëdhjetë prijës do të lindin prej tij e do ta bëj një komb të madh. Por besëlidhjen time do ta bëj me Isakun që Sara do të të lindë pas një viti». Perëndia mbaroi së foluri me Abrahamin e u largua prej tij. Atëherë Abrahami e mori Ishmaelin, birin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe ata që i kishte blerë me para. Në të njëjtën ditë i mori tërë meshkujt e shtëpisë e i rrethpreu në lëkurën e gjymtyrës mashkullore, ashtu siç i kishte thënë Perëndia. Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre, ndërsa Ishmaeli, i biri, ishte trembëdhjetë vjeç. Në të njëjtën ditë u rrethprenë Abrahami e Ishmaeli, i biri, e bashkë me të, tërë meshkujt e shtëpisë së tij, edhe i linduri në shtëpi, edhe i huaji i blerë me para. Zoti iu shfaq Abrahamit te lisat e Mamreut, në zhegun e ditës, kur ai po rrinte në të hyrë të tendës. Abrahami ngriti sytë dhe, ja, pa tre burra që po qëndronin para tij. Si i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t'i takonte, u përkul me nderim përtokë, e tha: «O Zoti im, nëse kam gjetur hir para teje, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt. Do t'ju sjellin pak ujë që të lani këmbët e të pushoni nën pemë. Unë po ju sjell një kafshatë bukë që të merrni veten, meqë kaluat nga shërbëtori juaj. Pastaj vazhdoni rrugën». Ata iu përgjigjën: «Bëj, pra, siç the». Abrahami nxitoi drejt tendës te Sara e i tha: «Shpejt, gatuaj tre masa majë mielli e bëj kuleç!». Ai vetë vrapoi drejt kopesë, mori një viç të njomë e të mirë e ia dha shërbëtorit që e përgatiti me të shpejtë. Pastaj mori mazë, qumësht e viçin që ishte përgatitur e ua shtroi përpara. Dhe ai qëndroi në këmbë, ndërsa ata hanin nën pemë. Atëherë ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?». Ai u përgjigj: «Aty, në tendë!». Njëri prej të tyre i tha: «Me të vërtetë, do të vij te ti pas një viti, e Sara, gruaja jote, do të bëhet me djalë». Sara po dëgjonte në të hyrë të tendës që ishte mbrapa tij. Abrahami e Sara ishin të moshuar dhe Sarës i ishin ndalur të përmuajshmet e grave. Kështu, Sara qeshi me vete e tha: «Tani që jam vyshkur e zotëria im është plak, a thua do të kem ende dëshirë?!». Zoti i tha Abrahamit: «Përse qeshi Sara e tha: “Me të vërtetë do të lind tani që u plaka?”. A ka gjë të pamundur për Zotin? Si sot një vit, do të kthehem te ti dhe Sara do të jetë bërë me djalë». Por Sara e mohoi nga frika e tha: «Jo, nuk qesha». Por ai i tha: «Po, po, qeshe!». Pastaj ata u ngritën prej aty e panë drejt Sodomës. Abrahami shkoi bashkë me ta për t'i përcjellë. Atëherë Zoti tha: «A do t'ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë? Abrahami me të vërtetë do të bëhet një komb i madh e i fuqishëm e në të do të bekohen tërë kombet e tokës, sepse unë e zgjodha që t'i urdhërojë bijtë e tij e shtëpinë e tij, pas tij, për të ndjekur udhën e Zotit, duke bërë çka është e drejtë e drejtësi, që Zoti të plotësojë gjithçka që i tha Abrahamit». Kështu, Zoti tha: «Gjëma e Sodomës dhe e Gomorrës është e madhe e mëkati i tyre është shumë i rëndë. Do të zbres poshtë e të shoh nëse po veprojnë ashtu siç dëgjova. Atëherë, do ta di». Atëherë burrat u kthyen prej andej e shkuan drejt Sodomës, ndërsa Abrahami ende po qëndronte para Zotit. Abrahami u afrua e tha: «A do ta zhdukësh, me të vërtetë, të drejtin bashkë me të ligun? Ndoshta qyteti ka pesëdhjetë njerëz të drejtë. Me të vërtetë do ta zhdukësh e nuk do ta falësh për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë aty? Larg qoftë që ta bësh këtë, të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, duke i trajtuar të drejtin e të ligun njësoj. Larg qoftë! Vallë, gjykatësi i gjithë tokës nuk do të tregohet i drejtë?». Zoti tha: «Nëse gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, për hir të tyre do ta fal tërë vendin». Abrahami iu përgjigj: «Ja, unë që jam pluhur e hi po marr guximin të flas me Zotin tim. Ndoshta, këtyre pesëdhjetë njerëzve të drejtë u mungojnë pesë njerëz. A do ta shkatërrosh tërë qytetin për shkak të këtyre të pestëve?». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj, nëse atje gjej dyzet e pesë». Abrahami i tha përsëri: «Ndoshta do të gjenden vetëm dyzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dyzetëve». Pastaj, Abrahami i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them: ndoshta atje do të gjenden vetëm tridhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj nëse gjej tridhjetë». Abrahami i tha: «Ja, po marr guximin të flas përsëri me Zotin tim: ndoshta, atje do të gjenden vetëm njëzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve». Atëherë ai i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them për herë të fundit: ndoshta atje do të gjenden vetëm dhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve». Kur Zoti mbaroi së foluri me Abrahamin, u largua dhe Abrahami u kthye në vendin e tij. Dy engjëjt arritën në Sodomë në mbrëmje, kur Loti po rrinte te porta e Sodomës. Si i pa, u ngrit t'i takonte, u përkul me fytyrë përdhe e tha: «Zotërinj, kthehuni nga shtëpia e shërbëtorit tuaj që të kaloni natën e të lani këmbët. Pastaj në të gdhirë vazhdoni udhëtimin». Ata thanë: «Jo, natën do ta kalojmë në shesh». Por Loti nguli këmbë. Kështu, ata u kthyen tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një gosti, u poqi bukë të ndorme dhe ata hëngrën. Para se të flinin, njerëzit e qytetit të Sodomës, i tërë populli pa përjashtim, i ri e i vjetër, rrethuan shtëpinë. I thirrën Lotit e i thanë: «Ku janë burrat që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që t'i përdhunojmë ». Loti doli përjashta, mbylli derën pas vetes e u tha: «Mos vëllezër, mos bëni ligësi. Ja ku kam dy bija që nuk kanë njohur burrë. Po i nxjerr jashtë e po jua jap, që të bëni me to ç'të doni. Vetëm këtyre burrave mos u bëni gjë, se janë nën mbrojtjen time ». Ata u përgjigjën: «Ik shporru!». Edhe thanë: «Ky erdhi të banojë si i huaj e dashka të jetë gjykatës! Tani do të sillemi edhe më keq me ty!». Filluan ta shtyjnë Lotin fort dhe u afruan për ta shpërthyer derën. Por dy burrat zgjatën dorën, e tërhoqën Lotin brenda në shtëpi dhe mbyllën derën. Pastaj i verbuan njerëzit që ishin përjashta, nga më i vogli deri te më i madhi. Kështu ata u lodhën së kërkuari hyrjen e shtëpisë. Burrat i thanë Lotit: «Kush tjetër është me ty? Ke dhëndër, bij e bija? Këdo që ke në këtë qytet nxirre jashtë prej këtij vendi. Ne do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse e madhe është gjëma e tyre para Zotit dhe ai na ka dërguar që ta shkatërrojmë». Loti doli jashtë e u foli dhëndurëve që ishin martuar me bijat e tij: «Ngrihuni e largohuni nga ky vend, se Zoti do ta shkatërrojë qytetin». Por dhëndurëve iu duk se ai po tallej. Në të gdhirë, engjëjt e nxisnin Lotin duke i thënë: «Ngrihu e merr me vete gruan tënde dhe të dy bijat që gjenden këtu. Përndryshe, kur qyteti të ndëshkohet, do të zhdukesh edhe ti». Por ai po vonohej. Atëherë, meqë Zoti pati mëshirë për të, burrat e morën për dore atë, gruan e tij e bijat e tij dhe i nxorën e i lanë jashtë qytetit. Pasi i nxorën jashtë, njëri prej tyre i tha: «Ik, shpëto veten! Mos shiko mbrapa e mos u ndal askund në luginë. Ik në mal, përndryshe do të zhdukesh!». Loti u tha: «Mos, o Zot! Ja, shërbëtori yt gjeti hir para teje e ti u tregove shumë mirëdashës me atë që bëre duke më shpëtuar. Por unë nuk do të largohem dot në mal pa më zënë fatkeqësia e kam për të vdekur. Ja një qytet ku mund të strehohem. Është afër dhe i vogël. Më lër të shkoj te ky qytet i vogël që të shpëtoj». Ai i tha: «Ja, po ta plotësoj edhe këtë kërkesë. Nuk do ta shkatërroj qytetin për të cilin fole. Shpejto, ik atje, se nuk do të bëj asgjë derisa të arrish». Prandaj qyteti u quajt Coar. Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti hyri në Coar. Atëherë Zoti lëshoi nga qielli sulfur e zjarr mbi Sodomën e Gomorrën. Ai i shkatërroi ato qytete dhe gjithë luginën bashkë me tërë banorët e qyteteve e bimësinë e tokës. Por gruaja e Lotit shikoi mbrapa dhe u kthye në një shtatore kripe. Herët në mëngjes, Abrahami u ngrit e shkoi te vendi ku kishte qëndruar para Zotit. Hodhi sytë poshtë nga Sodoma e Gomorra dhe nga tërë vendi i luginës dhe, ja, një tym ngrihej nga toka sikur të ishte tym furre. Kështu ndodhi që, kur Perëndia shkatërroi qytetet e luginës, u kujtua për Abrahamin dhe e largoi Lotin nga shkatërrimi që ra mbi qytetet ku banonte. Loti kishte frikë të banonte në Coar, prandaj u largua nga Coari bashkë me dy bijat e tij e banoi në mal, në një shpellë. Atëherë vajza e madhe i tha të voglës: «Ati ynë është plak dhe nuk ka asnjë burrë në vend që të flejë me ne, siç bëhet në mbarë tokën. Eja, le ta dehim atin tonë me verë, që të flemë me të e, përmes tij, të ruajmë farën». Kështu, atë natë e dehën me verë atin e tyre dhe e madhja hyri e u shtri me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. Të nesërmen, vajza e madhe i tha të voglës: «Ja, unë fjeta mbrëmë me tim atë. Le ta dehim me verë edhe sonte. Pastaj hyr ti e fli me të që, përmes tij, të ruajmë farën». Atë natë e dehën përsëri me verë të atin. E vogla shkoi e fjeti me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. Të dyja bijat e Lotit mbetën shtatzënë prej tij. E madhja lindi djalë dhe e quajti Moab. Ky është ati i moabitëve të sotëm. Edhe e vogla lindi djalë dhe e quajti Benami. Ky është ati i amonitëve të sotëm. Abrahami u largua prej andej drejt tokës së Negevit. Ndenji mes Kadeshit e Shurit e banoi si i huaj në Gerar. Atje Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: «Është motra ime». Kështu, Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz dhe e mori Sarën. Por Perëndia iu drejtua Abimelekut natën në ëndërr e i tha: «Ja, do të vdesësh për shkak të gruas që more, sepse është e martuar». Abimeleku nuk e kishte prekur, prandaj i tha: «O Zot, a do ta vrisje një komb të drejtë?! A nuk më tha Abrahami se ishte e motra? Edhe Sara vetë më tha se është vëllai i saj. Me ndërgjegje të pastër e me duar të pafajshme e bëra këtë gjë». Perëndia i tha në ëndërr: «Unë e di që veprove me ndërgjegje të pastër, prandaj të ruajta që të mos mëkatosh kundër meje e kështu nuk të lashë ta prekësh. Tani, ktheja të shoqen, se Abrahami është profet. Ai do të lutet për ty e do të jetosh. Por nëse nuk ia kthen, dije mirë se do të vdesësh ti dhe të gjithë të tutë». Abimeleku u ngrit herët në mëngjes dhe thirri të gjithë shërbëtorët e tij. Kur u tregoi gjithçka, ata i zuri një frikë e madhe. Atëherë Abimeleku thirri Abrahamin e i tha: «Çfarë na ke bërë kështu? Ç'të keqe të bëra që solle mbi mua e mbi mbretërinë time një mëkat kaq të rëndë? Nuk u solle me mua siç duhet». Abimeleku shtoi: «Ç'të shkoi në mendje që bëre këtë gjë!». Abrahami iu përgjigj: «E bëra se thashë: me siguri, nuk ka frikë Perëndie në këtë vend e kështu do të më vrasin për shkak të gruas sime. Është e vërtetë, ajo është motra ime, sepse është bija e tim eti e jo e sime mëje, por e mora për grua. Kur Perëndia më bëri të endem larg nga shtëpia e tim eti, i thashë asaj: “Tregohu mirëdashëse ndaj meje. Në çdo vend që do të hyjmë, thuaj për mua se jam vëllai yt”». Atëherë Abimeleku mori dhen e qe, shërbëtorë e shërbëtore e ia dha Abrahamit. I ktheu edhe Sarën, gruan e tij, e i tha: «Ja, para teje është vendi im. Bano ku të të pëlqejë». Sarës i tha: «Ja, i kam dhënë një mijë monedha argjendi vëllait tënd për të mbuluar fyerjen para të gjithë atyre që janë me ty e për të të shfajësuar para të gjithëve ». Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia i shëroi Abimelekun, gruan dhe skllavet e tij. Kështu, ato lindën fëmijë, sepse Zoti i kishte bërë beronja të gjitha gratë e shtëpisë së Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit. Zoti e pa me sy të mirë Sarën ashtu siç i kishte thënë dhe bëri për të siç kishte premtuar. Sara mbeti shtatzënë dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqëri, në po atë kohë që Perëndia i kishte thënë. Birin që i lindi Sara, Abrahami e quajti Isak. Kur u bë tetëditësh e rrethpreu ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. Abrahami ishte njëqind vjeç kur i lindi Isaku, i biri. Atëherë Sara tha: «Perëndia më bëri të qesh. Kush do të dëgjojë, do të qeshë me mua». Ajo tha: «Kush do të mund t'i thoshte Abrahamit: “Sara do të mëndë fëmijë!”? Por, ja ku i linda një djalë në pleqëri». Djali u rrit dhe la gjirin e së ëmës. Kështu Abrahami bëri një gosti të madhe ditën kur Isaku la gjirin. Kur Sara pa se biri që Hagara, egjiptiania, i lindi Abrahamit, po qeshej, i tha Abrahamit: «Dëboje këtë skllave me të birin, pasi i biri i saj nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun». Abrahamit i erdhi keq për djalin e tij, Ishmaelin. Por, Perëndia i tha Abrahamit: «Mos të të vijë keq për djalin dhe për skllaven tënde. Dëgjoje Sarën në çdo gjë që thotë, sepse emrin tënd do ta mbajë Isaku. Edhe prej birit të skllaves do të bëj një komb, sepse është fara jote». Atëherë Abrahami u ngrit herët në mëngjes, mori bukë e një kacek me ujë e ia vuri në krahë Hagarës bashkë me djalin dhe i nisi. Ajo u largua e u end në shkretëtirën e Bershebës. Kur mbaroi uji i kacekut e la djalin nën një shkurre, u largua e ndenji larg, sa një e hedhur harku, e tha: «Nuk e shoh dot djalin duke vdekur!». Ajo ndenji përballë tij e qau me dënesë. Perëndia e dëgjoi zërin e djalit dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Hagarën nga qielli e i tha: «Çfarë ke Hagarë? Mos ki frikë, se Perëndia e dëgjoi zërin e djalit prej vendit ku është. Ngrihu, merre djalin e mbaje për dore, sepse prej tij do të bëj një komb të madh». Atëherë Perëndia ia hapi sytë e ajo pa një burim. Shkoi, mbushi kacekun e ujit e i dha për të pirë djalit. Perëndia ishte me djalin. Ai u rrit, banoi në shkretëtirë e u bë harkëtar. Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe e ëma i gjeti një grua egjiptiane. Në atë kohë, Abimeleku e Pikoli, prijësi i ushtrisë së tij, i thanë Abrahamit: «Perëndia është me ty në çdo gjë që bën. Betohu, pra, në emër të Perëndisë se nuk do të më mashtrosh as mua, as fëmijët e mi e as pasardhësit e mi. Por ashtu siç unë t'u tregova mirëdashës, ashtu edhe ti do të veprosh me mua e me vendin në të cilin banon si i huaj». Abrahami tha: «Betohem!». Pastaj Abrahami iu ankua Abimelekut për një pus që ia kishin marrë shërbëtorët e Abimelekut. Abimeleku i tha: «Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë. Ti nuk më ke treguar e unë nuk kisha dëgjuar gjë deri më sot». Atëherë Abrahami mori dhen e qe, ia dha Abimelekut e të dy lidhën besën. Abrahami vuri mënjanë shtatë rrunëza të kopesë. Abimeleku i tha Abrahamit: «Përse i vure mënjanë këto shtatë rrunëza?». Ai i tha: «Këto shtatë rrunëza do t'i marrësh prej meje si dëshmi që e hapa unë këtë pus». Prandaj ai vend u quajt Bershebë pasi atje u betuan të dy. Pasi lidhën besën në Bershebë, Abimeleku e Pikoli, prijësi i ushtrisë së tij, u ngritën e u kthyen në vendin e filistinëve. Abrahami mbolli në Bershebë një pemë bruke e atje thirri emrin e Zotit, Perëndisë së amshuar. Abrahami banoi si i huaj në vendin e filistinëve për një kohë të gjatë. Pas këtyre ngjarjeve Perëndia e vuri në provë Abrahamin e i tha: «Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam». Ai i tha: «Merre me vete tët bir, Isakun, birin tënd të vetëm, që ti e do, e shko në tokën e Moriahut. Atje kushtoje si fli shkrumbimi në një nga malet që do të të tregoj». Abrahami u ngrit herët në mëngjes, shaloi gomarin e mori me vete dy shërbëtorë dhe Isakun, birin e tij. Pasi preu dru për flinë e shkrumbimit, u ngrit e shkoi drejt vendit që i tregoi Perëndia. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë e pa vendin nga larg. Atëherë Abrahami u tha shërbëtorëve: «Prisni këtu bashkë me gomarin, ndërsa unë e djali do të ngjitemi atje, do të adhurojmë e pastaj do të kthehemi te ju». Abrahami mori drutë për flinë e shkrumbimit e ia ngarkoi Isakut, të birit, ndërsa vetë mbante në dorë zjarrin e thikën. Kështu u nisën të dy bashkë. Isaku i tha Abrahamit, të atit: «O atë!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, biri im». Isaku tha: «Zjarrin e drutë ja ku i kemi. Po qengji për flinë ku është?». Abrahami iu përgjigj: «Vetë Perëndia do të këqyrë për qengjin e flisë së shkrumbimit, biri im». E kështu shkuan të dy bashkë. Kur arritën te vendi që Perëndia i kishte treguar, Abrahami ngriti një altar dhe i vendosi drutë mbi të. E lidhi Isakun, të birin, dhe e vuri mbi altar, mbi turrën e druve. Pastaj zgjati dorën e mori thikën që të therte të birin. Por engjëlli i Zotit i thirri nga qielli e i tha: «Abraham, Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». Ai i tha: «Mos ngri dorë kundër djalit e mos i bëj gjë, se tani e di që i druhesh Perëndisë e nuk e kurseve për mua as birin tënd të vetëm». Abrahami ngriti sytë e pa një dash me brirët të ngatërruar në një shkurre. Shkoi, e mori dhe e flijoi në vend të të birit. Abrahami e quajti atë vend « Zoti këqyr», sikurse thuhet edhe sot: «Në malin e Zotit ai këqyret!». Engjëlli i Zotit e thirri nga qielli për së dyti, e i tha: «Veten time zë në be, kumton Zoti, për shkak se bëre këtë gjë e nuk e kurseve birin tënd të vetëm, unë do të të jap bekim pas bekimi e do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit e si rëra e bregdetit. Pasardhësit e tu do të marrin në zotërim portat e armiqve të tyre. Tërë kombet e tokës do të bekohen në pasardhësit e tu për shkak se ti iu binde zërit tim». Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët. Ata u ngritën e shkuan së bashku në Bershebë dhe Abrahami banoi atje. Pas këtyre ngjarjeve Abrahamit i thanë: «Ja, edhe Milka i ka lindur djem Nahorit, vëllait tënd. Ata janë: Uci i parëlinduri, Buzi, vëllai i tij, Kemueli, i ati i Aramit, Kesedi, Hazoi, Pildashi, Idlafi e Betueli. Betuelit i lindi Rebeka. Këta të tetë, Milka ia lindi Nahorit, vëllait të Abrahamit. Edhe shemra e tij, Reumaja, i lindi Tebahun, Gahamin, Tahashin e Makahun». Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet. Ajo vdiq në Kirjat Arba që është në Hebron, në tokën e Kanaanit. Atëherë Abrahami erdhi për të mbajtur zi e për ta vajtuar. Pastaj u ngrit në prani të së ndjerës e u tha bijve të Hetit: «Mes jush jam i huaj e shtegtar. Më jepni për pronë një varr mes jush që ta varros të ndjerën ashtu siç duhet ». Bijtë e Hetit iu përgjigjën: «Dëgjo, imzot! Mes nesh, ti je një princ i fuqishëm. Varrose të ndjerën në varrin tonë më të mirë. Asnjëri prej nesh nuk do ta kursejë varrin e tij që ti të varrosësh të ndjerën tënde». Atëherë Abrahami u ngrit e u përkul me nderim para popullit të atij vendi, para bijve të Hetit, e u tha: «Nëse dëshironi që ta varros të ndjerën ashtu siç duhet, ma dëgjoni fjalën e ndërhyni për mua para Efronit, birit të Coharit, që të ma japë për varr shpellën e Makpelës, që është e tija e që ndodhet në fund të arës së tij, dhe të ma shesë në praninë tuaj me çmimin e plotë». Efroni, hititi, ishte ulur mes bijve të Hetit. Atëherë ai iu përgjigj Abrahamit në prani të bijve të Hetit, para të gjithë atyre që hynin në portën e qytetit: «Jo, imzot, më dëgjo! Arën po ta jap bashkë me shpellën që është në të. Po ta jap para bijve të popullit tim. Aty varrose të ndjerën tënde». Abrahami u përkul me nderim para popullit, e në prani të vendasve i tha Efronit: «Nëse më dëgjon, unë do ta paguaj çmimin e arës. Merre prej meje, që të varros atje të ndjerën time». Efroni iu përgjigj: «Imzot, më dëgjo! Katërqind sikla argjendi për një copë tokë nuk janë asgjë as për mua, as për ty. Shko e varrose të ndjerën tënde». Atëherë Abrahami e dëgjoi Efronin dhe ia peshoi argjendin, që i kërkoi, në prani të bijve të Hetit, katërqind sikla argjendi sipas peshës së tregut. Kështu ara e Efronit në Makpelë, që ndodhej përballë Mamreut, ara dhe shpella që është në të, tërë pemët brenda kufijve të arës, u bënë pronë e Abrahamit në prani të bijve të Hetit, para të gjithë atyre që hynin në portën e qytetit. Pastaj Abrahami e varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelës, përballë Mamreut, që është në Hebron, në vendin e Kanaanit. Kështu, ara bashkë me shpellën iu dhanë Abrahamit nga bijtë e Hetit për pronë varri. Abrahami ishte plak, i thyer në moshë dhe Zoti e kishte bekuar në çdo gjë. Atëherë Abrahami i tha shërbëtorit më të vjetër të shtëpisë së tij, atij që kujdesej për gjithçka që kishte: «Vëre dorën tënde nën kofshën time. M'u beto për Zotin, Perëndinë e qiellit e të tokës, se nuk do t'i gjesh grua birit tim prej bijave të Kanaanit, mes të cilëve banoj. Por, do të shkosh në vendin tim dhe te të afërmit e mi. Atje do të marrësh një grua për birin tim, Isakun». Shërbëtori i tha: «Po sikur ajo të mos dojë të vijë me mua në këtë vend? A do të më duhet ta kthej birin tënd në vendin nga u largove ti?». Abrahami iu përgjigj: «Ruhu se ma çon tim bir atje! Zoti, Perëndia i qiellit, ai që më nxori prej shtëpisë së atit tim e prej vendit të të afërmve të mi, ai që më tha e m'u betua: “Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë tokë”, ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje e ti do të marrësh prej andej një grua për birin tim. Nëse ajo nuk do të dojë të vijë me ty, ti je i zgjidhur nga ky betim. Vetëm tim bir mos ma kthe atje». Atëherë shërbëtori vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së tij, dhe iu betua për këtë gjë. Shërbëtori mori me vete dhjetë deve nga devetë e zotërisë së tij dhe, bashkë me tërë të mirat e zotërisë së tij, u nis e shkoi në Aram Naharaim, në qytetin e Nahorit. Në mbrëmje, kur vajzat dilnin për të mbushur ujë, ai i uli devetë jashtë qytetit, pranë pusit, e tha: «O Zot, Perëndia i timzot Abrahamit, ma bëj mbarë sot e tregohu mirëdashës me timzot Abrahamin. Ja, unë po qëndroj pranë pusit dhe vajzat e banorëve të qytetit po dalin për të mbushur ujë. Vajza së cilës do t'i them: “Të lutem, ule shtambën që të pi” e ajo të më përgjigjet: “Pi ti e po u jap për të pirë edhe deveve”, ajo të jetë vajza që ke caktuar për shërbëtorin tënd, Isakun. Kështu do ta di që je treguar mirëdashës me timzot». Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, Rebeka doli me shtambë mbi supe. Ajo ishte vajza e Betuelit, birit të Milkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit. Vajza ishte shumë e bukur dhe e virgjër. Asnjë burrë nuk e kishte prekur. Ajo zbriti te pusi, mbushi shtambën dhe u ngjit. Shërbëtori vrapoi ta takonte e i tha: «Më jep të pi pak ujë nga shtamba jote». Ajo iu përgjigj: «Pi imzot!». Menjëhere e uli shtambën e i dha për të pirë. Pasi i dha ujë i tha: «Po u jap ujë edhe deveve të tua derisa të ngopen». E zbrazi shtambën shpejt në koritë e vrapoi te pusi për të nxjerrë ujë për të gjitha devetë e tij. Ai e vështronte në heshtje për të parë nëse Zoti ia kishte sjellë mbarë, apo jo. Pasi devetë mbaruan së piri, ai mori një unazë të artë për hundën, që peshonte gjashtë gramë dhe dy stoli të arta për duart që peshonin njëqind gramë. E i tha: «Më trego, bija e kujt je? A ka vend për ne në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?». Ajo i tha: «Jam e bija e Betuelit, birit të Milkës, që ajo ia lindi Nahorit». Pastaj shtoi: «Te ne ka mjaft kashtë e tagji, si edhe dhoma për të kaluar natën». Atëherë ai u përkul, adhuroi Zotin, e tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i timzot Abrahamit, që nuk e kurseu mirësinë dhe besnikërinë ndaj timzot, e që më priu drejt shtëpisë së vëllait të timzot». Vajza vrapoi e ua tregoi njerëzve të shtëpisë të gjitha këto. Rebeka kishte një vëlla që quhej Laban. Ai doli jashtë me vrap drejt njeriut që ishte te pusi. Kur e pa unazën e hundës e stolitë në duart e së motrës dhe dëgjoi fjalët e Rebekës, të motrës, që thoshte: «Kështu më tha ai njeri», vrapoi drejt njeriut dhe, ja, ai po qëndronte me devetë te pusi. Atëherë i tha: «Eja, o i bekuari i Zotit! Përse rri jashtë? Unë e kam bërë gati shtëpinë dhe vendin për devetë». Kështu, ai hyri brenda dhe shkarkoi devetë. I sollën kashtë, tagji e ujë për të larë këmbët ai dhe njerëzit që ishin me të. Pastaj i shtruan për të ngrënë, por ai tha: «Nuk do të ha para se të them ç'kam për të thënë». Labani iu përgjigj: «Urdhëro e fol!». Ai tha: «Unë jam shërbëtori i Abrahamit. Zoti e ka bekuar shumë timzot dhe ai është i pasur. I ka dhënë dele e qe, ar e argjend, shërbëtorë e shërbëtore, deve e gomarë. Sara, gruaja e timzoti, i lindi një djalë në pleqëri. Atij ia ka lënë gjithë pasurinë. Imzot më bëri të betohem: “Birit tim nuk do t'i marrësh grua prej bijave të Kanaanit, në tokën e të cilëve banoj unë. Por do të shkosh në shtëpinë e tim eti e do të marrësh një grua nga fisi im për tim bir”. Unë i thashë timzot: “Po sikur ajo të mos vijë me mua”. Ai më tha: “ Zoti, të cilin unë ndjek, do të dërgojë engjëllin e tij me ty, do të ta bëjë mbarë udhëtimin e do të marrësh një grua për birin tim nga fisi im e nga familja e tim eti. Por, nëse shkon te fisi im dhe ata nuk ta japin vajzën, atëherë do të jesh i zgjidhur nga ky betim”. Sot erdha te burimi e thashë: “O Zot, Perëndia i timzot Abrahamit. Ma bëj mbarë udhëtimin që kam nisur. Ja, unë po rri te pusi. Vajza që do të dalë për të mbushur ujë, së cilës do t'i them: ‘Më jep pak ujë nga shtamba jote’, e që do të më thotë: ‘Pi ti dhe devetë e tua’, ajo do të jetë gruaja që Zoti ka caktuar për birin e timzot”. Ende pa mbaruar së foluri me vete, doli Rebeka me shtambën e saj mbi sup. Zbriti te pusi e mbushi ujë. Atëherë unë i thashë: “Më jep të pi”! Menjëherë ajo uli shtambën dhe tha: “Pi. Po u jap për të pirë edhe deveve të tua”. Kështu piva unë dhe ajo u dha edhe deveve për të pirë. Pastaj e pyeta: “Bija e kujt je?”. Ajo m'u përgjigj: “Bija e Betuelit, të birit të Nahorit, që ia lindi Milka”. I vura unazën në hundë dhe stolitë në duar. U përkula dhe adhurova Zotin, duke e bekuar Zotin, Perëndinë e timzot Abrahamit, i cili më priu në udhën e duhur për të marrë vajzën e vëllait të timzot për të birin. Tani, pra, nëse doni të tregoheni mirëdashës e besnikë ndaj timzot, më thoni. Nëse jo, më thoni, që të shkoj diku gjetkë». Atëherë Labani e Betueli u përgjigjën: «Kështu e paska thënë Zoti. Ne nuk kemi çfarë të themi. Ja ku e ke Rebekën, para teje. Merre e shko dhe, ashtu siç ka thënë Zoti, le të bëhet gruaja e birit të tëtzot». Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre, u përkul përdhe e adhuroi Zotin. Ai nxori petka e stoli argjendi e ari dhe ia dha Rebekës. Edhe të vëllait e të ëmës u dha dhurata të çmueshme. Pastaj, ai dhe njerëzit që ishin me të, hëngrën, pinë e aty kaluan natën. Në mëngjes kur u ngritën u tha: «Më lejoni të kthehem te imzot». Por, i vëllai dhe e ëma i thanë: «Le të rrijë vajza së paku dhjetë ditë me ne e pastaj le të shkojë». Ai u përgjigj: «Mos më mbani, meqë Zoti ma bëri mbarë. Më lejoni të shkoj tek imzot». Ata thanë: «Ta thërrasim vajzën e ta pyesim». E thirrën Rebekën e i thanë: «A do të shkosh me këtë njeri?». Ajo u përgjigj: «Po». Atëherë ata përcollën Rebekën, motrën e tyre, shërbëtoren e saj, bashkë me shërbëtorin e Abrahamit dhe njerëzit e tij. E bekuan Rebekën e i thanë: «Moj motra jonë, me qindra mijërash u shumofsh! E portat e armiqve pasardhësit e tu i pushtofshin». Rebeka e shërbëtorja e saj u ngritën, hipën në deve dhe e ndoqën atë njeri. Kështu, shërbëtori e mori me vete Rebekën e u nis. Ndërkohë, Isaku ishte kthyer nga Ber Lahaj Roiu e banonte në tokën e Negevit. Një ditë, në të ngrysur, kur po shkonte në fushë për të shëtitur, ngriti sytë e pa disa deve duke ardhur. Edhe Rebeka ngriti sytë e pa Isakun. Ajo zbriti prej devesë e i tha shërbëtorit: «Kush është ai që po vjen në fushë për të na takuar?». Shërbëtori i tha: «Është imzot». Atëherë ajo mori velin e u mbulua. Shërbëtori i tregoi Isakut gjithçka që kishte bërë. Isaku e solli Rebekën te tenda e Sarës, nënës së vet. Ai e mori për grua dhe e deshi. Kështu, Isaku u ngushëllua pas vdekjes së të ëmës. Abrahami mori një grua tjetër që quhej Ketura. Ajo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Midianin, Ishbakun e Shuahun. Jokshanit i lindi Shebai e Dedani. Bijtë e Dedanit ishin ashuritët, letushitët e leumitët. Bijtë e Midianit ishin Efahu, Eferi, Enoku, Abidai e Eldahu. Të gjithë këta ishin bijtë e Keturasë. Abrahami ia la Isakut gjithë pasurinë e vet. Por bijve të shemrave të veta u dha dhurata e, ndërsa ishte gjallë, i dërgoi drejt lindjes, në vendin lindor, larg nga i biri, Isaku. Abrahami jetoi njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet. Ai dha shpirt e vdiq në pleqëri të lume, i thyer në moshë e me jetë të gjatë dhe u varros bashkë me popullin e tij. Isaku e Ishmaeli, bijtë e tij, e varrosën në shpellën e Makpelës, që është në lindje të Mamreut, në arën e Efronit, birit të Cohar Hititit, që Abrahami e pati blerë prej bijve të Hetit. Atje u varros ai e Sara, gruaja e tij. Pas vdekjes së Abrahamit, Perëndia e bekoi Isakun, birin e tij, dhe ai banoi pranë Ber Lahaj Roiut. Këta janë pasardhësit e Ishmaelit, birit të Abrahamit, që ia lindi Hagara, egjiptiania, skllavja e Sarës. Këta janë emrat e bijve të Ishmaelit sipas radhës: Nebajoti, i parëlinduri i Ishmaelit, Kedari, Adbeli, Mibsami, Mishmai, Dumahu, Masai, Hadadi, Temai, Jeturi, Nafishi e Kedmahu. Këta janë bijtë e Ishmaelit dhe emrat e tyre sipas fshatrave e fushimeve të tyre; dymbëdhjetë prijës sipas fiseve të tyre. Ishmaeli jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. Ai dha shpirt, vdiq e u varros bashkë me popullin e vet. Bijtë e Ishmaelit banuan nga Havilahu deri në Shur, që është përballë Egjiptit, në drejtim të Asirisë. Ata jetuan në kundërshti me vëllezërit e tij. Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit: Abrahamit i lindi Isaku. Ai ishte dyzet vjeç kur mori për grua nga Padan Arami Rebekën, bijën e Betuel Arameasit dhe motrën e Laban Arameasit. Isaku iu lut Zotit për gruan e tij, sepse ajo ishte beronjë. Zoti e dëgjoi dhe Rebeka mbeti shtatzënë. Djemtë përlesheshin me njëri-tjetrin brenda barkut të saj, prandaj ajo tha: «Pse po më ndodh kështu?» e shkoi të pyesë Zotin. Atëherë Zoti i tha: «Dy kombe janë në barkun tënd e dy popuj do të dalin prej teje. Njëri do të jetë më i fortë se tjetri e i madhi do t'i shërbejë të voglit». Kur i erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. I pari doli i kuq, mbuluar i tëri si me një gunë leshi. Atë e quajtën Esau. Pastaj doli i vëllai që e kishte mbërthyer Esaun nga thembra. Ai u quajt Jakob. Isaku ishte gjashtëdhjetë vjeç kur i lindën djemtë. Kur ata u rritën, Esau u bë gjahtar i aftë, njeri i fushës, ndërsa Jakobi ishte i përkryer e rrinte nëpër tenda. Isaku donte Esaun, sepse i pëlqente gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin. Një herë kur Jakobi po gatuante gjellë, Esau erdhi prej fushës i lodhur e i tha Jakobit: «Më lër ta përlaj këtë gjënë e kuqe, se jam i sfilitur». Prandaj dhe u quajt Edom. Jakobi tha: «Më shit më parë të drejtën e parëlindjes». Esau u përgjigj: «Unë po vdes, ç'më duhet kjo e drejtë?». Jakobi i tha: «M'u beto tani». Ai iu betua e ia shiti Jakobit të drejtën e parëlindjes. Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë e gjellë me thjerrëza. Ai hëngri e piu e pastaj u ngrit e iku. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e parëlindjes. Tokën e pllakosi një tjetër zi buke si ajo që kishte rënë në kohën e Abrahamit dhe Isaku shkoi në Gerar te Abimeleku, mbreti i filistinëve. Atëherë Zoti iu shfaq e i tha: «Mos shko në Egjipt, por bano në vendin që do të të tregoj. Bano si i huaj në këtë vend dhe unë do të jem me ty e do të të bekoj. Ty e pasardhësve të tu do t'ua jap tërë këto vende e kështu do të përmbush betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd. Do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe atyre do t'ua jap tërë këto vende. Të gjitha kombet e tokës do të bekohen përmes pasardhësve të tu, sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim e i mbajti urdhrin, urdhërimet, rregullat dhe ligjet e mia». Atëherë Isaku banoi në Gerar. Kur vendasit e pyetën për të shoqen, ai u tha: «Është motra ime», sepse kishte frikë se mos vendasit e vrisnin po të thoshte: «Është gruaja ime», ngaqë Rebeka ishte e bukur. Isaku qëndroi atje për një kohë të gjatë. Një herë, Abimeleku, mbreti i filistinëve, po sodiste nga dritarja dhe pa Isakun duke përkëdhelur Rebekën, gruan e tij. Atëherë thirri Isakun e i tha: «Pa dyshim ajo është gruaja jote. Si munde të thuash: “Është motra ime”?». Isaku iu përgjigj: «Mendova se do të vdisja për shkak të saj». Abimeleku tha: «Ç'është kjo që na bëre? Për pak, dikush mund të flinte me gruan tënde e kështu do të na bëje fajtorë». Kështu, Abimeleku urdhëroi tërë popullin: «Kushdo që prek këtë njeri dhe gruan e tij, me të vërtetë do të vdesë». Isaku mbolli në atë vend e po atë vit korri njëqindfish. Zoti e bekoi dhe ai u pasurua. Pasuria e tij sa vinte e shtohej derisa u bë shumë e madhe. Ai pati dhen, qe e shumë shërbëtorë. Filistinët e kishin zili, prandaj ia mbyllën e ia mbuluan me dhe të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e të atit, në kohën e Abrahamit. Atëherë Abimeleku i tha Isakut: «Largohu, sepse je bërë më i fuqishëm se ne». Isaku u largua prej andej, fushoi në luginën e Gerarit e banoi atje. Ai i rihapi puset e hapura në kohën e Abrahamit, atit të tij, që filistinët mbyllën pas vdekjes së Abrahamit e i quajti njësoj siç i kishte quajtur i ati. Shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë e gjetën një burim me ujë të freskët. Barinjtë e Gerarit u grindën me barinjtë e Isakut e thanë: «Uji është yni!». Ai e quajti pusin Esek, sepse ata u grindën me të. Hapën dhe një pus tjetër, por edhe për të u grindën, prandaj e quajti Sitna. Pastaj lëvizi prej andej dhe hapi një pus tjetër. Por për këtë pus nuk u grindën. Kështu, e quajti Rehobot e tha: «Tani Zoti na ka hapur vend e aty do të shumohemi». Prej andej u nis për në Bershebë. Po atë natë Zoti iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd. Mos ki frikë, se unë jam me ty. Do të të bekoj e do t'i shumoj pasardhësit e tu për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim». Isaku ngriti një altar dhe thirri emrin e Zotit. Aty vuri tendën dhe, po aty, shërbëtorët e tij hapën një pus. Ndërkaq Abimeleku erdhi tek ai prej Gerarit bashkë me Ahuzatin mikun e tij dhe Pikolin, prijësin e ushtrisë së tij. Isaku u tha: «Përse erdhët tek unë? Ju më urreni e më keni dëbuar». Ata u përgjigjën: «Kemi parë qartë se Zoti ka qenë me ty. Atëherë thamë të bëjmë një betim mes dy palëve, mes nesh dhe teje, e le të lidhim një besëlidhje me ty, që të mos na bësh ndonjë gjë të ligë ashtu si dhe ne nuk të prekëm, por të bëmë vetëm mirë e të lamë të shkoje në paqe. Tani ti je i bekuari i Zotit ». Atëherë Isaku u përgatiti një gosti e ata hëngrën e pinë. Kur u ngritën herët në mëngjes, u betuan me njëri-tjetrin. Isaku i përcolli e ata u larguan prej tij në paqe. Po atë ditë erdhën shërbëtorët e Isakut, i treguan për pusin që kishin hapur e i thanë: «Gjetëm ujë». Kështu, ai e quajti Shebë, prandaj qyteti quhet Bershebë deri më sot. Esau ishte dyzet vjeç kur mori për grua Juditën, bijën e Ber Hititit, dhe Basematën, bijën e Elon Hititit. Këto u bënë shkak hidhërimi për Isakun e Rebekën. Kur Isaku u plak dhe e lanë sytë aq sa nuk shihte më, thirri Esaun, birin e tij të madh, e i tha: «Biri im!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam». Isaku tha: «Ja, u plaka e nuk e di kur do të vdes. Merr armët, kukurën e harkun e dil për gjah në fushë. Pastaj më përgatit një gjellë ashtu siç e dua unë e ma sill ta ha që të të bekoj para se të vdes». Por Rebeka e dëgjoi Isakun teksa fliste me të birin, Esaun. Kështu, kur Esau shkoi në fushë për gjah, ajo i tha të birit, Jakobit: «E dëgjova tët atë që foli me Esaun, vëllanë tënd, e i tha: “Më sill pak gjah e më përgatit një gjellë që ta ha e të të bekoj në prani të Zotit para se të vdes”. Tani, pra, biri im dëgjo çka po të urdhëroj. Shko në kope e më merr dy keca të mirë që ta përgatis gjellën për tët atë ashtu siç e do ai. Pastaj çoi atit tënd të hajë, që ai të të bekojë para se të vdesë». Jakobi i tha Rebekës, së ëmës: «Esau, im vëlla, është leshtor, ndërsa unë nuk jam i tillë. Ndoshta im atë më prek e dal mashtrues para tij e kështu, në vend të bekimit, do t'i sjell vetes mallkim». E ëma iu përgjigj: «Mallkimi yt rëntë mbi mua, biri im, ti vetëm më dëgjo e shko e merr kecat». Atëherë ai shkoi, i mori e ia solli të ëmës. Ajo e përgatiti gjellën ashtu siç e donte i ati. Pastaj Rebeka mori rrobat më të mira të Esaut, birit të saj të madh, që i kishte në shtëpi, e ia veshi Jakobit, birit të saj të vogël. Duart dhe pjesën e lëmuar të qafës ia mbuloi me lëkurën e kecave. Pastaj ia dha në dorë Jakobit, të birit, gjellën e bukën që kishte përgatitur. Ky shkoi tek i ati e i tha: «O ati im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam. Kush je ti, biri im?». Jakobi i tha të atit: «Jam unë, Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më the. Ngrihu, pra, e ha nga gjahu im, që të më bekosh». Isaku i tha të birit: «Sa shpejt e kape biri im?!». Ai iu përgjigj: « Zoti, Perëndia yt, ma nxori përpara». Isaku i tha Jakobit: «Afrohu biri im, që të të prek e ta di nëse je biri im Esau, apo jo». Jakobi iu afrua Isakut, të atit. Ai e preku e tha: «Zëri është i Jakobit, ndërsa duart janë të Esaut». Ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore si duart e Esaut, të vëllait. Atëherë ai e bekoi. Isaku i tha: «A je ti biri im Esau?». Ai u përgjigj: «Po». Atëherë ai tha: «Ma afro gjellën që të ha nga gjahu i birit tim e të të bekoj». Jakobi i dha për të ngrënë e i solli verë për të pirë. Pastaj Isaku, i ati, i tha: «Afrohu e më puth, biri im». Ai u afrua dhe e puthi. Isaku u mori erë rrobave të tij dhe e bekoi e tha: «Ja, era e tim biri, si era e fushës që Zoti bekoi. Perëndia të dhëntë vesën e qiellit e pjellorinë e tokës, begati drithi e vere. Popuj të shërbefshin e kombe u përkulshin para teje. Bëhu zot i vëllezërve të tu e para teje u përkulshin bijtë e nënës sate. Mallkuar qoftë kushdo që të mallkon e kushdo që të bekon qoftë i bekuar». Sapo Isaku mbaroi bekimin e pa u larguar mirë Jakobi nga i ati, u kthye nga gjahu Esau, i vëllai. Edhe ky përgatiti gjellën, ia solli të atit e i tha: «Ngrihu, o ati im, e ha nga gjahu i birit tënd, që të më bekosh». I ati i tha: «Kush je ti?». Ai iu përgjigj: «Jam yt bir, i parëlinduri yt, Esau». Atëherë Isaku u trondit tmerrësisht shumë e tha: «Kush ishte ai që zuri gjah e ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti, e bekova e ai do të mbetet i bekuar». Kur Esau dëgjoi fjalët e të atit, klithi me të madhe e, plot hidhërim, i tha: «Më beko edhe mua, o ati im!». Por ai i tha: «Yt vëlla erdhi me dredhi dhe mori bekimin tënd». Esau tha: «Jo më kot quhet Jakob. Është hera e dytë që më mashtron. Ma mori të drejtën e parëlindjes e, ja, tani më mori edhe bekimin». E shtoi: «A të ka mbetur ndonjë bekim për mua?». Isaku iu përgjigj: «Ja, e kam bërë zot mbi ty. Ia dhashë tërë vëllezërit si shërbëtorë dhe drithin e verën ia dhurova. Ç'të bëj për ty, o biri im?». Esau i tha të atit: «Vetëm një bekim paske, o ati im? Më beko edhe mua, o ati im!». Dhe qau me të madhe. Atëherë Isaku, i ati, i tha: «Ja, larg begatisë së tokës do të banosh e larg vesës së qiellit të lartë. Prej shpatës do të jetosh e tët vëllai do t'i shërbesh. Por, kur të ngrihesh, zgjedhën e tij do ta heqësh qafe». Esau e urrente Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati e thoshte me vete: «Ditët e zisë për atin tim po afrohen, atëherë do ta vras Jakobin, tim vëlla». Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj të madh, ajo dërgoi njerëz dhe thirri Jakobin, birin e saj të vogël, e i tha: «Esau, yt vëlla, po ngushëllon veten duke menduar të të vrasë. Tani, biri im, më dëgjo: ngrihu e ik te Labani, im vëlla, në Haran. Rri me të për pak kohë derisa vëllait tënd t'i bjerë zemërimi, t'i kalojë mëria e të harrojë çfarë i bëre. Pastaj unë do të dërgoj njerëz e do të të marr prej andej. Pse t'ju humbas që të dy në të njëjtën ditë?». Pastaj Rebeka i tha Isakut: «M'u neverit jeta prej këtyre bijave të Hetit. Nëse Jakobi merr grua nga bijat e Hetit, siç janë bijat e këtij vendi, nuk kam ç'e dua jetën!». Atëherë Isaku e thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos merr grua nga bijat e Kanaanit. Ngrihu e shko në Padan Aram, në shtëpinë e Betuelit, atit të nënës tënde. Atje merr grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës tënde. Perëndia i gjithëpushtetshëm të bekoftë, të shumoftë e të shtoftë që të bëhesh shumicë popujsh. Ai të dhëntë, ty e pasardhësve të tu, bekimin e Abrahamit që ta trashëgosh tokën që Perëndia ia dha Abrahamit, ku ti banon si i huaj». Isaku e nisi Jakobin dhe ai shkoi në Padan Aram, te Labani, biri i Betuel Arameasit, të vëllait të Rebekës, të ëmës së Jakobit dhe Esaut. Esau e pa se Isaku e bekoi Jakobin dhe e dërgoi në Padan Aram për të marrë grua prej andej, se e bekoi dhe e urdhëroi të mos merrte grua nga bijat e Kanaanit. Jakobi e dëgjoi të atin dhe të ëmën e shkoi në Padan Aram. Kur Esau pa se Isaku, i ati, i shihte me sy të keq bijat e Kanaanit, shkoi tek Ishmaeli e mori për grua, përveç atyre që kishte, Mahalatën, bijën e Ishmaelit, birit të Abrahamit, motrën e Nebajotit. Jakobi doli nga Bersheba e shkoi në Haran. Arriti në njëfarë vendi e u ndal për të kaluar natën, sepse dielli kishte perënduar. Mori një nga gurët aty pranë, e vuri nën krye e fjeti aty. Dhe pa një ëndërr. Në ëndërr pa një shkallare që qëndronte në tokë, maja e së cilës prekte qiellin. Engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin mbi shkallë. Dhe ja, Zoti, që qëndronte mbi të, tha: «Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, atit tënd, dhe Perëndia i Isakut. Tokën ku je shtrirë do të ta jap ty e pasardhësve të tu. Ata do të jenë si pluhuri i tokës e ti do të shtrihesh drejt lindjes e perëndimit, drejt veriut e jugut. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty e në pasardhësit e tu. Ja, unë jam me ty. Do të të ruaj kudo që të shkosh e do të të kthej në këtë vend, sepse nuk do të heq dorë prej teje pa bërë çfarë të thashë». Atëherë Jakobi u zgjua e tha: «Me të vërtetë Zoti qenka në këtë vend e unë nuk e dija». I frikësuar tha: «Sa i frikshëm ky vend! Nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë dhe porta e qiellit». Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën krye, e vendosi si përmendore dhe hodhi vaj mbi të. Ai e quajti atë vend Betel. Më parë qyteti quhej Luz. Jakobi u betua e tha: «Nëse Perëndia është me mua e më ruan në udhëtimin që kam nisur, nëse më jep bukë për të ngrënë e rroba për të veshur, nëse më kthen shëndoshë e mirë në shtëpinë e tim eti, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im, ky gur që kam vendosur si përmendore do të jetë shtëpia e Perëndisë dhe ty do të të jap të dhjetën e çdo gjëje që do të më japësh». Atëherë Jakobi mori udhën e shkoi në tokën e bijve të lindjes. Në një fushë pa një pus e tre kope dhensh shtrirë aty pranë, sepse u jepnin për të pirë nga pusi. Një gur i madh mbulonte grykën e pusit. Kur mblidheshin të gjitha kopetë, barinjtë e lëviznin gurin prej grykës së pusit e u jepnin për të pirë. Pastaj e vinin gurin në vend, mbi grykën e pusit. Jakobi i pyeti: «Nga jeni, o vëllezër?». Ata u përgjigjën: «Nga Harani». Ai u tha: «A e njihni Labanin, birin e Nahorit?». Ata i thanë: «E njohim». Jakobi pyeti: «A është shëndoshë e mirë?». Ata iu përgjigjën: «Mirë është. Ja, Rakela, e bija, po vjen bashkë me dhentë». Pastaj ai u tha: «Është ende mesditë e nuk është koha kur mblidhen bagëtitë. Megjithatë, jepuni të pinë e çojini në kullotë». Por ata thanë: «Nuk mundemi. Do t'u japim dhenve të pinë vetëm kur të mblidhen të gjitha kopetë e guri të lëvizë prej grykës së pusit». Teksa fliste me ta, erdhi Rakela bashkë me dhentë e të atit. Ajo ishte bareshë. Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanit, ungjit të vet, bashkë me dhentë e tij, u afrua, lëvizi gurin nga gryka e pusit e u dha për të pirë dhenve të Labanit, ungjit të vet. Pastaj e puthi Rakelën e qau me zë të lartë. I tregoi se ishte nga fisi i të atit dhe biri i Rebekës. Atëherë ajo vrapoi e i tregoi të atit. Kur Labani mori vesh për Jakobin, djalin e së motrës, vrapoi ta takojë. E përqafoi, e puthi dhe e mori në shtëpi. Ai i tregoi Labanit gjithçka që kishte ngjarë. Atëherë Labani i tha: «Ti je me të vërtetë mishi e gjaku im». Jakobi qëndroi me të për një muaj. Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. Lea kishte sy të hijshëm, ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë. Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?». Labani i tha: «Në vendin tonë nuk është zakon të jepet e vogla para të madhes. Le të kalojë kjo javë dasme e pastaj do të të japim edhe tjetrën e ti do të më shërbesh edhe shtatë vjet të tjerë». Jakobi pranoi dhe pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha për grua Rakelën, të bijën. Ai i dha Rakelës, të bijës, Bilhën, skllaven e tij. Jakobi fjeti edhe me Rakelën dhe e deshi atë më shumë se Lean. Ai i shërbeu Labanit edhe për shtatë vite të tjera. Zoti e pa se Lea u përbuz, prandaj i dha fëmijë, ndërsa Rakela ishte beronjë. Kështu, Lea mbeti shtatzënë e lindi një djalë. E quajti Ruben, sepse tha: « Zoti e pa hidhërimin tim. Tani im shoq do të më dojë». Ajo mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: « Zoti dëgjoi që jam e përbuzur, prandaj ma dha edhe këtë». Prandaj e quajti Simeon. Përsëri mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të jetë i lidhur me mua, se i kam lindur tre djem». Prandaj u quajt Levi. Lea mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë do ta lavdëroj Zotin ». Prandaj e quajti Judë. Pastaj nuk lindi më fëmijë. Kur pa që nuk mund t'i lindte fëmijë Jakobit, Rakela e pati zili të motrën e i tha Jakobit: «Më jep bij, përndryshe do të vdes!». Jakobi u zemërua me Rakelën e i tha: «Mos jam Perëndia unë? Ai ta ka mohuar frytin e barkut». Ajo tha: «Ja ku e ke Bilhën, shërbëtoren time. Fli me të. Kështu, ajo do të lindë në prehrin tim e prej saj do të bëhem edhe unë me fëmijë». Rakela i dha Jakobit për grua Bilhën, skllaven e vet, e ai fjeti me të. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Rakela tha: «Perëndia më dha të drejtë, ma dëgjoi edhe mua zërin e më dha një djalë». Prandaj e quajti Dan. Bilha, skllavja e Rakelës, mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit edhe një djalë. Atëherë Rakela tha: «Fort u përlesha me time motër, por më në fund fitova». Prandaj e quajti Neftali. Kur Lea pa që nuk mund të lindte më, mori Zilfën, skllaven e vet, e ia dha Jakobit për grua. Ajo i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Lea tha: «Pata fat!». Prandaj e quajti Gad. Zilfa, skllavja e Leas, i lindi Jakobit edhe një djalë tjetër. Lea tha: «Lum unë, se gratë do të më quajnë të lume». Prandaj e quajti Asher. Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli në fushë, gjeti madërgona e ia dha të ëmës, Leas. Atëherë Rakela i tha: «Më jep disa nga madërgonat që të solli yt bir». Por ajo iu përgjigj: «Pak të duket që më more tim shoq, tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e tim biri!». Rakela i tha: «Në këmbim të madërgonave të tët biri, Jakobi do të flejë sonte me ty». Në mbrëmje Jakobi u kthye nga fusha dhe Lea i doli para e i tha: «Do të flesh me mua, se të kam blerë me madërgonat e tim biri». Atë natë ai fjeti me të. Perëndia e dëgjoi Lean. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e pestë. Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin tim, sepse i dhashë tim shoqi skllaven time». Prandaj e quajti Isahar. Lea mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e gjashtë. Ajo tha: «Perëndia më dha një dhuratë të mirë. Kësaj here im shoq do të më nderojë, sepse i kam lindur gjashtë djem». Prandaj e quajti Zabulon. Pastaj lindi një vajzë dhe e quajti Dina. Perëndia u kujtua për Rakelën. Ai e dëgjoi e i dha fëmijë. Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Perëndia ma hoqi turpin». Prandaj e quajti Jozef e tha: « Zoti më shtoftë edhe me një djalë tjetër». Kur Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha Labanit: «Më lër të shkoj në vendin tim e në tokën time. M'i jep gratë e bijtë e mi, për të cilët të shërbeva, që të shkoj. Ti e di sa të kam shërbyer». Labani iu përgjigj: «Nëse kam gjetur hir para teje, qëndro me mua, sepse kam parë se, falë teje, Zoti më ka bekuar. Më thuaj sa e do pagën dhe unë do të ta jap». Por Jakobi i tha: «Ti e di sa të kam shërbyer e sa shumë t'u shtuan bagëtitë nën kujdesin tim. Në çdo gjë që bëra Zoti të bekoi. Edhe ato pak që kishe para se të vija unë, u shtuan e u shumuan. A nuk ka ardhur koha të punoj edhe për shtëpinë time?». Labani i tha: «Çfarë do që të të jap?». Jakobi i tha: «Nuk dua asgjë, veç bëj si të them. Më lër t'i kullot e t'i ruaj përsëri bagëtitë e tua, të shkoj sot mes tyre e të ndaj mënjanë çdo dele e dhi laramane ose pikaloshe e çdo qengj të zi. Ky do të jetë shpërblimi im. Drejtësia ime do të duket nesër kur të vish për të parë shpërblimin tim. Çdo dhi që nuk është laramane ose pikaloshe e çdo qengj që nuk është i zi, do të quhet i vjedhur». Labani tha: «Le të bëhet siç the ti». Atë ditë Labani ndau mënjanë cjeptë e dhitë laramane e pikaloshe, çdo kafshë me njollë të bardhë, tërë qengjat e zinj e ua dha të bijve. Ai u largua tre ditë rrugë larg Jakobit. Jakobi kulloste pjesën tjetër të bagëtive të Labanit. Atëherë Jakobi mori thupra të njoma plepi, bajameje e rrapi dhe ua qëroi lëvoren vende-vende që t'u dukej e bardha e kërcellit. Pastaj i vendosi në koritë, në rrjedhat e ujit, që të ishin përballë bagëtive kur vinin për të pirë, sepse ato mbarseshin kur vinin për të pirë. Bagëtitë u mbarsën përballë thuprave e pollën keca laramanë e pikaloshë. Jakobi i ndau edhe delet e i vuri përballë bagëtive të Labanit që ishin laramane e të zeza. E kështu, ai bëri bagëtitë e veta dhe nuk i bashkoi me ato të Labanit. Sa herë që bagëtitë e shëndosha mbarseshin, ai i vinte thuprat në koritë para tyre, që të mbarseshin pranë thuprave. Por, kur bagëtitë ishin të dobëta, ai nuk i vinte thuprat. Kështu, Labanit i mbetën të dobëtat, ndërsa Jakobit të shëndoshat. Jakobi u pasurua tej mase e pati shumë bagëti, shërbëtorë, shërbëtore, deve e gomarë. Jakobi dëgjoi që të bijtë e Labanit thoshin: «Jakobi mori gjithçka kishte ati ynë dhe gjithë këtë pasuri e përfitoi prej tij». Jakobi vuri re se Labani nuk e shihte si më parë. Atëherë Zoti i tha Jakobit: «Kthehu në tokën e të parëve, te të afërmit e tu, e unë do të jem me ty». Kështu, Jakobi dërgoi njerëz dhe thirri Rakelën e Lean në fushën, ku po kullotnin kopetë e tij, e u tha: «Kam vënë re se ati juaj nuk më sheh si më parë, por Perëndia i atit tim ka qenë me mua. Ju vetë e dini se i kam shërbyer atit tuaj me gjithë forcën time. Por ai më mashtroi e ma ndërroi pagën dhjetë herë. Megjithatë, Perëndia nuk e lejoi të më bëjë keq. Kur thoshte: “Pikaloshet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti pikaloshe. Dhe kur thoshte: “Laramanet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti laramane. Kështu, Perëndia ia mori bagëtitë atit tuaj e m'i dha mua. Në kohën kur mbarseshin bagëtitë, pashë një ëndërr ku cjeptë që po ndërzeheshin ishin laramanë, pikaloshë e me pulla. Dhe në ëndërr, engjëlli i Perëndisë më tha: “Jakob!”. E unë thashë: “Ja ku jam!”. Ai tha: “Kam parë gjithçka që të ka bërë Labani, prandaj ngriji sytë e shiko tërë cjeptë që po ndërzehen. Ata janë laramanë, pikaloshë e me pulla. Unë jam Perëndia që t'u shfaq në Betel, aty ku ti vajose një përmendore e m'u betove. Tani, ngrihu e dil nga ky vend e kthehu në vendlindjen tënde”». Atëherë Rakela e Lea iu përgjigjën: «As ne nuk kemi më pjesë e trashëgimi në shtëpinë e atit tonë. A nuk na ka trajtuar si të ishim të huaja? Na shiti e na i hëngri tërë paratë. Gjithë pasuria që Perëndia ia mori atit tonë, është e jona dhe e bijve tanë. Prandaj, bëj siç të tha Perëndia». Kështu, Jakobi u ngrit e i vuri bijtë e gratë mbi deve. Mori bagëtinë e tërë pasurinë që kishte fituar në Padan Aram e u nis për në Kanaan, tek Isaku, ati i tij. Ndërsa Labani kishte shkuar për të qethur dhentë, Rakela vodhi idhujt e të atit. Jakobi e mashtroi Laban Arameasin, sepse nuk i tregoi se do të largohej. Kështu, Jakobi u largua me gjithçka kishte. Ai u ngrit, kaloi lumin Eufrat e u drejtua kah mali i Gileadit. Ditën e tretë, i treguan Labanit se Jakobi kishte ikur. Atëherë Labani bashkë me vëllezërit e vet e ndoqi për shtatë ditë dhe e arriti në malin e Gileadit. Perëndia iu shfaq Laban Arameasit natën në ëndërr e i tha: «Ruaj se i thua gjë Jakobit!». Kur Labani e arriti Jakobin, Jakobi e kishte ngritur tendën në malin e Gileadit. Edhe Labani bashkë me vëllezërit i ngritën tendat po aty. Atëherë Labani i tha Jakobit: «Çfarë bëre kështu? Më mashtrove e m'i rrëmbeve vajzat sikur të ishin robinja lufte. Përse ike tinëz e më mashtrove? Përse nuk më tregove që të të përcillja me gëzim e me këngë, me lodër e me qeste? Përse nuk më le t'i puth bijtë e bijat e mia? Bëre marrëzi! Tani më ke rënë në dorë, por Perëndia i atit tënd më tha mbrëmë: “Ruaj se i thua gjë Jakobit!”. Ti u largove se të ka marrë malli shumë për shtëpinë e atit tënd, po idhujt pse m'i vodhe?». Jakobi iu përgjigj: «Ika se pata frikë. Mendoja se do të m'i merrje me dhunë bijat e tua. Atij që do t'ia gjesh idhujt e tu, ai nuk do të jetojë më. Kërko e merr çka të përket në prani të vëllezërve tanë». Ai nuk e dinte se idhujt i kishte vjedhur Rakela. Kështu, Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas e në tendën e dy shërbëtoreve, por nuk gjeti gjë. Pasi doli nga tenda e Leas, hyri në atë të Rakelës. Ndërkohë Rakela i kishte marrë idhujt, i kishte vënë në samarin e devesë dhe ishte ulur mbi to. Labani rrëmoi në gjithë tendën, por nuk gjeti gjë. Ajo i tha të atit: «Të mos zemërohet imzot që nuk mund të ngrihem para tij, sepse jam me të përmuajshmet e grave». Ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt. Atëherë Jakobi u zemërua e shfreu kundër Labanit: «Çfarë faji bëra? Çfarë mëkati bëra që të më ndjekësh kështu e të rrëmosh në çdo gjë timen? A gjete gjë tënden? Nxirri, pra, para vëllezërve të mi e të tu që ata të gjykojnë mes nesh. Gjatë njëzet vjetëve që kam qenë me ty nuk të dështuan as delet, as dhitë dhe deshtë e kopesë nuk t'i hëngra. Nuk të solla asnjë bagëti të shqyer nga bishat, sepse dëmin e paguaja vetë. Çfarëdo vidhej ditën apo natën e kërkoje nga dora ime. Ditën më këpuste vapa e natën ngrica e nuk vija gjumë në sy. Njëzet vjet kam qenë në shtëpinë tënde. Katërmbëdhjetë vjet të shërbeva për bijat e tua e gjashtë vjet për kopetë, ndërsa ti ma ndërrove pagën dhjetë herë. Po të mos kishte qenë me mua Perëndia i Abrahamit, atit tim, dhe Tmerri i Isakut, ti tani do të më kishe nisur duarbosh. Por Perëndia i pa vuajtjet e mundin tim dhe prandaj të qortoi mbrëmë». Atëherë Labani iu përgjigj Jakobit: «Këto bija janë bijat e mia, këta bij janë bijtë e mi, këto bagëti janë bagëtitë e mia dhe çdo gjë që sheh janë të miat. Por çfarë t'u bëj sot bijave të mia apo bijve që ato lindën? Eja të lidhim një besëlidhje mes meje e teje si dëshmi mes nesh». Kështu Jakobi mori një gur dhe e ngriti si përmendore. Ai u tha të vetëve: «Mblidhni gurë!». Ata bënë një pirg me gurët që mblodhën e pastaj hëngrën pranë tyre. Labani e quajti pirgun e gurëve Jegar Sahaduta, ndërsa Jakobi e quajti Galed. Labani tha: «Sot, ky pirg gurësh është dëshmi mes meje e teje». Prandaj u quajt Galed e Micpah, sepse tha: « Zoti shikoftë mes meje e teje, kur të jemi larg njëri-tjetrit. Nëse i keqtrajton bijat e mia ose merr gra të tjera, edhe pse nuk do të ketë njeri pranë, shiko se Perëndia do të jetë dëshmitar mes meje e teje». Pastaj Labani tha: «Ja pirgu i gurëve e përmendorja që vura mes meje e teje. Ato janë dëshmi se as unë e as ti nuk do ta kalojmë këtë përmendore për t'i bërë keq njëri-tjetrit. Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, perënditë e etërve të tyre, gjykofshin mes nesh». Atëherë Jakobi u betua për Tmerrin e Isakut, atit të tij. Jakobi kushtoi një fli në mal e i thirri vëllezërit të hanë. Ata hëngrën dhe e kaluan natën në mal. Labani u ngrit herët në mëngjes, i puthi bijtë e bijat e tij, i bekoi e u kthye në vendin e vet. Edhe Jakobi shkoi udhës së vet. Përpara i dolën engjëjt e Perëndisë. Kur i pa, Jakobi tha: «Ky është fushimi i Perëndisë». Prandaj e quajti Mahanaim. Atëherë Jakobi dërgoi përpara vetes lajmëtarë te Esau, vëllai i tij, në tokën e Seirit, në krahinën e Edomit e i urdhëroi: «Kështu do t'i thoni timzot, Esaut: “Jakobi, shërbëtori yt, thotë: kam banuar me Labanin e aty kam qëndruar deri tani. Kam lopë e gomarë, dhen, shërbëtorë e shërbëtore. Po e lajmëroj timzot që të gjej hir para tij”». Por lajmëtarët u kthyen te Jakobi e i thanë: «Shkuam te vëllai yt, Esau. Ai po të del para me katërqind burra». Atëherë Jakobi u frikësua shumë e u shqetësua. I ndau në dy fushime njerëzit që ishin me të, dhentë, qetë e devetë, sepse mendoi: «Nëse vjen Esau e sulmon njërin fushim, fushimi që mbetet do të shpëtojë». Pastaj Jakobi tha: «O Perëndi i atit tim, Abrahamit, dhe Perëndi i atit tim, Isakut, o Zot, ti që më the të kthehem në tokën time, te të afërmit e mi e që më the se do të më trajtoje mirë, unë nuk jam i denjë për gjithë mirësinë e besnikërinë që tregove ndaj shërbëtorit tënd, sepse këtë Jordan e kalova vetëm me një shkop e tani jam bërë me dy fushime. Më shpëto nga dora e vëllait tim, nga dora e Esaut, sepse kam frikë se kur të vijë, ai do të më vrasë bashkë me gra e fëmijë. Ti vetë the: “Me të vërtetë do të të bëj mirë e do t'i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit që nuk numërohet, se është e shumtë”». Jakobi e kaloi natën aty. Pastaj zgjodhi nga ç'kishte me vete një dhuratë për vëllanë e tij, Esaun. Ai zgjodhi dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele, njëzet desh, tridhjetë deve qumështi bashkë me të vegjlit, dyzet lopë, dhjetë dema, njëzet gomarica e dhjetë gomarë. U dorëzoi shërbëtorëve të tij çdo kope më vete e u tha: «Shkoni përpara meje e mbani një largësi mes kopeve». Pastaj urdhëroi të parin: «Kur Esau, im vëlla, të të takojë e të të pyesë: “I kujt je? Ku po shkon e të kujt janë tërë këto kafshë para teje?”, ti do t'i thuash: “Janë të Jakobit, shërbëtorit tënd. Kjo është një dhuratë e dërguar për timzot Esaun. Ja, ai vetë po vjen pas nesh”». Po kështu Jakobi e urdhëroi të dytin, të tretin dhe tërë ata që shkonin pas kopeve, duke u thënë: «Të njëjtat fjalë do t'i thoni Esaut kur ta takoni. Po ashtu do t'i thoni: “Ja, Jakobi, shërbëtori yt, po vjen pas nesh”», sepse mendonte: «Do ta zbus me dhuratat që po i dërgoj përpara meje. E pastaj do ta takoj e ndoshta ai do të më pranojë». Jakobi i dërgoi dhuratat përpara tij, por ai vetë e kaloi atë natë në fushim. Po atë natë Jakobi u ngrit, mori dy gratë e veta, dy shërbëtoret, të njëmbëdhjetë djemtë dhe kaloi vaun e Jabokut. I mori e i kaloi nga ana tjetër e lumit bashkë me gjithçka kishte. Kështu, Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë u përlesh me të deri në të gdhirë. Kur tjetri pa se nuk po e mundte dot Jakobin, i kapi kërdhokullën dhe, gjatë përleshjes, ia nxori vendit. Pastaj i tha: «Më lësho, se po zbardhet». Por Jakobi i tha: «Nuk të lëshoj derisa të më bekosh». Ai i tha: «Si quhesh?». Iu përgjigj: «Jakob». Atëherë i tha: «Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael, sepse luftove me Perëndinë e me njerëzit dhe fitove». Jakobi iu lut: «Ma trego emrin». Por ai i tha: «Përse më pyet për emrin?». Dhe aty e bekoi Jakobin. Atëherë Jakobi e quajti atë vend Penuel, sepse tha: «Ballë për ballë e pashë Perëndinë e mbeta gjallë». Dielli lindi kur Jakobi kaloi Penuelin dhe ai çalonte për shkak të kërdhokullës. Për këtë arsye, bijtë e Izraelit nuk e hanë dellin e kofshës që është në zgavrën e kërdhokullës as sot e kësaj dite, sepse ai e preku Jakobin te zgavra e kërdhokullës, mu te delli i kofshës. Jakobi ngriti sytë e pa Esaun që po vinte. Me të ishin katërqind burra. Atëherë i ndau fëmijët mes Leas, Rakelës e dy shërbëtoreve. Shërbëtoret me bijtë e tyre i vuri në fillim, pas tyre vuri Lean me bijtë e saj, në fund vuri Rakelën e Jozefin. Ai vetë shkoi para tyre e u përkul gjer në tokë shtatë herë, derisa iu afrua të vëllait. Por Esau vrapoi për ta takuar dhe e përqafoi. Iu hodh në qafë, e puthi e qanë që të dy. Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët e tha: «Çfarë i ke këta?». Ai iu përgjigj: «Këta janë fëmijët që Perëndia i fali shërbëtorit tënd». Atëherë shërbëtoret bashkë me fëmijët u afruan e u përkulën me nderim. U afrua edhe Lea me fëmijët e saj e u përkulën me nderim. Në fund u afrua Jozefi e Rakela e u përkulën me nderim. Pastaj Esau tha: «Ç'ke ndër mend të bësh me gjithë këto që më solle?». Jakobi iu përgjigj: «I solla që të gjej hir para teje, imzot». Esau tha: «Unë kam mjaft, o vëllai im. Çfarë ke mbaje për vete». Por Jakobi tha: «Jo, të lutem. Nëse kam gjetur hir para teje do ta pranosh këtë dhuratë nga dora ime, sepse të pashë ballë për ballë, si të shihja ballë për ballë Perëndinë, e ti prapë më prite mirë. Pranoje, pra dhuratën që të solla, se Perëndia është treguar i mëshirshëm me mua e unë kam plot». Kështu, ai nguli këmbë dhe Esau pranoi. Pastaj Esau tha: «Të çohemi e të shkojmë e unë do të të prij». Por Jakobi i tha: «Imzot, ti e di se fëmijët janë të vegjël dhe se dhentë e lopët qumështore i kam kujdes. Nëse i mundoj edhe një ditë, e gjithë bagëtia do të ngordhë. Le të shkojë imzot para shërbëtorit të tij, ndërsa unë do të vij ngadalë me hapin e bagëtisë, që më paraprin, e me hapin e fëmijëve, derisa të arrij tek imzot në Seir». Atëherë Esau tha: «Po lë me ty disa nga njerëzit e mi». Por Jakobi tha: «Përse? Mjafton që të gjej hir para timzot». Po atë ditë, Esau u kthye rrugës për në Seir, ndërsa Jakobi udhëtoi drejt Sukotit ku ndërtoi shtëpi për vete e kasolle për kafshët, prandaj edhe vendi u quajt Sukot. Jakobi erdhi nga Padan Arami dhe arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Shekemit, që ishte në tokën e Kanaanit, dhe fushoi përballë qytetit. Pastaj bleu prej Hamorit, atit të Shekemit, për njëqind monedha argjendi, pjesën e fushës në të cilën kishte ngritur tendën. Aty ngriti një altar dhe e quajti «Perëndia është Perëndia i Izraelit». Dina, bija që Lea i lindi Jakobit, doli për të parë bijat e vendit. Kur e pa Shekemi, prijësi i vendit, biri i Hamor Hivitit, e rrëmbeu, fjeti me të dhe e poshtëroi. Por Dina, bija e Jakobit, i hyri në zemër dhe ai e deshi e i foli ëmbël. Kështu, Shekemi i tha Hamorit, të atit: «Ma merr këtë vajzë për grua!». Ndërkohë, Jakobi kishte dëgjuar për çnderimin e bijës së tij, Dinës. Ai heshti derisa u kthyen të bijtë që ishin me bagëtitë në fushë. Atëherë Hamori, ati i Shekemit, shkoi te Jakobi për t'i folur. Ndërkaq bijtë e Jakobit, kur dëgjuan se ç'kishte ngjarë, erdhën nga fusha. Ata ishin të hidhëruar e shumë të zemëruar, sepse Shekemi kishte bërë diçka të turpshme në Izrael. Ai kishte fjetur me bijën e Jakobit. Kjo gjë nuk bëhej. Por Hamori foli me ta e tha: «Shekemit, tim biri, i ka hyrë në zemër vajza juaj. Jepjani, pra, për grua. Bëni krushqi me ne. Na jepni bijat tuaja e merrni tonat. Nëse banoni me ne, vendi do të jetë i hapur për ju. Do të banoni e lëvizni lirisht e do të mund të blini prona». Pastaj Shekemi i tha atit të Dinës e vëllezërve të saj: «Gjetsha hir në sytë tuaj! Do të jap çdo gjë që do të më kërkoni. Më kërkoni për pajë e dhuratë sa të doni e unë do t'jua jap, veç të më jepni vajzën për grua». Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjigjën me dredhi Shekemit e Hamorit, atit të tij, sepse ai kishte çnderuar Dinën, motrën e tyre. Kështu, ata u thanë: «Nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Nuk mund t'ia japim motrën tonë dikujt që është i parrethprerë, sepse kjo do të ishte e turpshme për ne. Por do të pranojmë vetëm me një kusht: nëse bëheni si ne e çdo mashkull i juaj rrethpritet. Atëherë do t'ju japim bijat tona e ne do të marrim tuajat. Do të banojmë me ju e do të bëhemi një popull i vetëm. Por nëse nuk pranoni të rrethpriteni do të marrim me vete bijën tonë e do të largohemi». Hamorit e birit të tij, Shekemit, u pëlqeu kjo përgjigje. Djaloshi nuk vonoi ta bënte këtë gjë, se e kishte për zemër bijën e Jakobit. Ai ishte më i rëndësishmi në të gjithë familjen e atit të tij. Pastaj Hamori e biri i tij, Shekemi, arritën te porta e qytetit e iu drejtuan njerëzve të qytetit: «Këta njerëz janë miqësorë me ne. Le të banojnë në këtë vend e të lëvizin lirisht, se ka mjaft vend edhe për ta. Bijat e tyre do t'i marrim për gra e do t'u japim bijat tona. Por vetëm me një kusht këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për t'u bërë një popull i vetëm: tërë meshkujt tanë duhet të rrethpriten ashtu siç rrethpriten edhe ata. A nuk do të bëhen tonat kafshët, pasuritë e bagëtitë e tyre? Mjafton që të pranojmë dhe ata do të banojnë me ne». Tërë ata që dilnin nga porta e qytetit e dëgjuan Hamorin e Shekemin, birin e tij. Kështu tërë meshkujt e qytetit u rrethprenë. Pas tri ditësh, kur meshkujt e qytetit ende vuanin dhimbjet e rrethprerjes, dy djemtë e Jakobit, Simeoni e Levi, vëllezërit e Dinës, u ngritën secili me shpatë në dorë, hynë në qytet pa u vënë re dhe vranë tërë meshkujt. Ata vranë me shpatë edhe Hamorin me Shekemin, birin e tij. Pastaj morën Dinën nga shtëpia e Shekemit e u larguan. Bijtë e Jakobit u lëshuan mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin që kishte çnderuar motrën e tyre. Ata morën dhentë, qetë, gomarët e gjithçka gjetën në qytet e në fushë. Plaçkitën tërë pasurinë dhe morën rob tërë të vegjlit e gratë bashkë me gjithçka që kishin në shtëpi. Atëherë Jakobi i tha Simeonit e Levit: «Më keni nxjerrë telashe, se më fëlliqët me banorët e vendit, me kananitët e perizitët. Unë kam pak njerëz. Nëse ata bashkohen kundër meje e më sulmojnë, atëherë unë e shtëpia ime do të marrim fund». Por ata thanë: «Pse, si lavire do të trajtohet motra jonë?». Perëndia i tha Jakobit: «Ngrihu, shko në Betel e bano atje. Aty ngri një altar për Perëndinë që t'u shfaq kur ike nga Esau, vëllai yt». Atëherë Jakobi i tha shtëpisë së tij e gjithë atyre që ishin me të: «Hidhni tej perënditë e huaja që janë mes jush. Pastrohuni e ndërroni rrobat. Pastaj të ngrihemi e të shkojmë në Betel që atje t'i ndërtoj një altar Perëndisë që m'u përgjigj ditën kur u gjeta ngushtë dhe që ishte me mua në udhëtimin që bëra». Atëherë ata ia dhanë Jakobit të gjitha perënditë e huaja e vathët që kishin e ai i fshehu nën lisin pranë Shekemit. Kur u nisën, qytetet përreth i kapi tmerri i Perëndisë dhe ata nuk i ndoqën bijtë e Jakobit. Jakobi e tërë populli që ishte me të arritën në Luz që është në tokën e Kanaanit. Ky është Beteli. Aty ngriti një altar dhe vendin e quajti Perëndia i Betelit, se aty iu shfaq Perëndia kur iku nga i vëllai. Në atë kohë vdiq Debora, mëndesha e Rebekës. Ajo u varros nën një lis pranë Betelit dhe Jakobi e quajti vendin Lisi i Vajtimit. Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit kur erdhi nga Padan Arami, e bekoi e i tha: «Emri yt është Jakob. Por nuk do të quhesh më Jakob, sepse emri yt do të jetë Izrael». Kështu e quajti Izrael. Pastaj i tha: «Unë jam Perëndia i gjithëpushtetshëm. Shumohu e shtohu! Prej teje do të dalë një popull e një shumicë popujsh e prej ijëve të tua do të dalin mbretër. Tokën që i dhashë Abrahamit e Isakut do të ta jap ty. Pasardhësve të tu do t'ua jap tokën». Pastaj Perëndia u largua prej tij e prej vendit ku i kishte folur. Atëherë Jakobi ngriti një përmendore guri ne vendin ku Perëndia i kishte folur, e lagu me një fli stërpikjeje dhe derdhi vaj mbi të. Jakobi e quajti Betel vendin ku i kishte folur Perëndia. Ata u nisën nga Beteli e kur ishin ende pak larg nga Efrata, Rakelën e zunë dhimbjet e forta të lindjes. Për shkak se kishte dhimbje të forta gjatë lindjes, mamia i tha: «Mos ki frikë, se u bëre me një tjetër djalë!». Por ajo vdiq dhe, duke dhënë shpirt, e quajti të birin Benoni, ndërsa i ati e quajti Benjamin. Rakela vdiq e u varros udhës për në Efratë, ku është Betlehemi. Jakobi ngriti një përmendore mbi varrin e saj. Kjo është përmendorja e varrit të Rakelës që njihet edhe sot. Atëherë Izraeli shkoi prej andej dhe ngriti tendën përtej Migdal Ederit. Kur Izraeli banoi në këtë vend, Rubeni shkoi e fjeti me Bilhën, shemrën e të atit. Izraeli e mori vesh. Jakobi kishte dymbëdhjetë djem. Bijtë e Leas ishin Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isahari e Zabuloni. Bijtë e Rakelës ishin Jozefi e Benjamini. Bijtë e Bilhës, shërbëtores së Rakelës, ishin Dani e Neftaliu. Bijtë e Zilfës, shërbëtores së Leas, ishin Gadi e Asheri. Këta ishin bijtë e Jakobit që i lindën në Padan Aram. Jakobi mbërriti në Mamre, tek Isaku, i ati. Ky është Kirjat Arba, në Hebron, ku Abrahami e Isaku kishin banuar si të huaj. Isaku ishte njëqind e tetëdhjetë vjeç kur dha shpirt e vdiq. I moshuar e në moshë të thyer, u varros bashkë me popullin e tij. E varrosën të bijtë, Esau e Jakobi. Këta janë pasardhësit e Esaut që quhet edhe Edom: Esau i mori gratë e tij nga bijat e Kanaanit. Ai mori Adën, bijën e Elon Hititit, Oholibamën, bijën e Anahut, mbesën e Cibeon Hivitit dhe Basematën, bijën e Ishmaelit, motrën e Nebajotit. Ada i lindi Esaut Elifazin. Basemata lindi Reuelin. Oholibama lindi Jeushin, Jalamin e Korahun. Këta qenë bijtë e Esaut që i lindën në tokën e Kanaanit. Atëherë Esau mori me vete gratë e tij, bijtë e bijat, gjithë njerëzit e shtëpisë, gjithë bagëtitë e kafshët, gjithë pasurinë që kishte grumbulluar në tokën e Kanaanit e shkoi në një vend tjetër që të ishte larg të vëllait, Jakobit. Pasuria e tyre ishte aq e madhe sa nuk mund të jetonin më bashkë dhe vendi ku banonin nuk i zinte për shkak të bagëtive. Kështu, Esau, që quhet edhe Edom, banoi në malin e Seirit. Këta janë pasardhësit e Esaut, atit të Edomit, në malin e Seirit. Këta janë emrat e bijve të tij: Elifazi, biri i Adës, gruas së tij, Reueli, biri i Basematës, gruas së tij. Bijtë e Elifazit ishin Temani, Omari, Cefoi, Gatami e Kenazi. Timna ishte shemra e Elifazit, birit të Esaut. Ajo i lindi Amalekun. Këta janë bijtë e Adës, gruas së Esaut. Bijtë e Reuelit janë Nahati, Zerahu, Shamahu e Mizahu. Këta janë bijtë e Basematës, gruas së Esaut. Bijtë që gruaja e Esaut, Oholibama, e bija e Anahut, mbesa e Cibeonit, i lindi atij, janë Jeushi, Jalami e Korahu. Këta janë prijësit e bijve të Esaut. Këta janë bijtë e Elifazit, të parëlindurit të Esaut: prijësi Teman, prijësi Omar, prijësi Cefo, prijësi Kenaz, prijësi Korah, prijësi Gatam e prijësi Amalek. Këta janë prijësit e Elifazit në tokën e Edomit. Këta janë bijtë e Adës. Këta janë bijtë e Reuelit, birit të Esaut: prijësi Nahat, prijësi Zerah, prijësi Shamah e prijësi Mizah. Këta janë prijësit e Reuelit në tokën e Edomit. Këta janë bijtë e Basematës, gruas së Esaut. Këta janë bijtë e Oholibamës, gruas së Esaut: prijësi Jeush, prijësi Jalam e prijësi Korah. Këta janë prijësit e Oholibamës, gruas së Esaut, të bijës së Anahut. Këta janë bijtë e Esaut e prijësit e tyre. Ky është Edomi. Këta janë bijtë e Seir Horitit. Ata janë banorët e Lotanit, Shobalit, Cibeonit, Anahut, Dishonit, Ecerit e Dishanit. Këta janë prijësit e horitëve, bijtë e Seirit, në tokën e Edomit. Bijtë e Lotanit ishin Horiu e Hemami. Motra e Lotanit ishte Timna. Këta janë bijtë e Shobalit: Alvani, Manahati, Ebali, Shefoi e Onami. Bijtë e Cibeonit janë Ajahu e Anahu. Anahu është ai që gjeti në shkretëtirë burime ujërash të ngrohta kur po kulloste gomarët e të atit. Këta janë fëmijët e Anahut: Dishoni e Oholibama, bija e Anahut. Këta janë bijtë e Dishonit: Hemdani, Eshbani, Itrani e Kerani. Këta janë bijtë e Ecerit: Bilhani, Zavani e Akani. Këta janë bijtë e Dishanit: Uci e Arani. Këta janë prijësit e horitëve: prijësi Lotan, prijësi Shobal, prijësi Cibeon, prijësi Anah, prijësi Dishon, prijësi Ecer e prijësi Dishan. Këta janë prijësit e horitëve sipas fiseve të tyre në tokën e Seirit. Këta janë mbretërit që mbretëruan në tokën e Edomit para se bijtë e Izraelit të kishin ndonjë mbret: Belai, biri i Beorit, që mbretëroi në Edom. Qyteti i tij quhej Dinhabah. Belai vdiq e në vend të tij mbretëroi Jobabi, biri i Zerahut nga Bocrahu. Edhe Jobabi vdiq e në vend të tij mbretëroi Hushami nga toka e temanitëve. Edhe Hushami vdiq e në vend të tij mbretëroi Hadadi, biri i Bedadit. Ai i mposhti midianitët në fushën e Moabit. Qyteti i tij quhej Avit. Edhe Hadadi vdiq e në vend të tij mbretëroi Samlahu nga Masrekahu. Edhe Samlahu vdiq e në vend të tij mbretëroi Sauli nga Rehoboti i Eufratit. Edhe Sauli vdiq e në vend të tij mbretëroi Baal Hanani, biri i Akborit. Edhe Baal Hanani, biri i Akborit, vdiq e në vend të tij mbretëroi Hadari. Qyteti i tij quhej Pau e gruaja e tij quhej Mehetabelë, bija e Matredës, të bijës së Mezahabit. Këta janë emrat e prijësve të Esaut sipas fiseve, vendeve dhe emrave të tyre: prijësi Timna, prijësi Alvah, prijësi Jetet, prijësi Oholibamah, prijësi Elah, prijësi Pinon, prijësi Kenaz, prijësi Teman, prijësi Mibcar, prijësi Magdiel e prijësi Iram. Këta janë prijësit e Edomit sipas vendbanimeve në tokën që zotëronin. Ky është Esau, ati i Edomit. Jakobi banoi në tokën e Kanaanit, aty ku kishte banuar edhe i ati. Kjo është historia e Jakobit: Jozefi ishte shtatëmbëdhjetë vjeç e kulloste dhentë bashkë me vëllezërit. Ai ishte ndihmësi i bijve të Bilhës e Zilfës, dy grave të të atit. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq të vëllezërve të vet. Izraeli e donte Jozefin më shumë se bijtë e tjerë, se e kishte birin e pleqërisë. Ai i bëri Jozefit një tunikë shumëngjyrëshe. Kur vëllezërit panë se ati i tyre e donte më shumë se ata, e urryen Jozefin e nuk i flisnin dot me të mirë. Jozefi pa një ëndërr dhe, kur ua tregoi vëllezërve, ata e urryen edhe më shumë. Ai u tha: «Dëgjoni ëndrrën që pashë. Po mblidhnim dorëza gruri në mes të fushës. Kur ja, dorëza ime u ngrit e qëndroi drejt. Ndërsa dorëzat tuaja u mblodhën përreth e u përkulën me nderim para dorëzës sime». Atëherë vëllezërit i thanë: «A thua do të bëhesh mbreti ynë e do të sundosh mbi ne?!». Kështu, ata e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave e fjalëve të tij. Jozefi pa edhe një ëndërr tjetër e ua tregoi vëllezërve të vet: «Pashë një ëndërr tjetër. Dielli, hëna e njëmbëdhjetë yje po më përkuleshin me nderim». Kur ia tregoi të atit e vëllezërve, i ati e qortoi e i tha: «Ç'është kjo ëndërr! A po thua që unë, jot ëmë e vëllezërit e tu do u përkulkemi gjer në tokë para teje?!». Vëllezërit e patën zili, kurse i ati e mbajti në mend këtë gjë. Vëllezërit shkuan në Shekem për të kullotur dhentë e atit të tyre. Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po kullotin dhentë në Shekem. Ngrihu e shko tek ata!». Ai u përgjigj: «Gati jam!». Izraeli i tha: «Shko, shih a janë mirë vëllezërit e dhentë e më kthe përgjigje». Kështu, e dërgoi Jozefin nga lugina e Hebronit dhe ai mbërriti në Shekem. Atje gjeti një njeri që po sillej nëpër fushë, i cili e pyeti: «Çfarë po kërkon?». Jozefi iu përgjigj: «Po kërkoj vëllezërit e mi. Më trego, ku po kullotin». Njeriu i tha: «Kanë ikur që këtej, por unë i dëgjova që thoshin: “Të shkojmë në Dotan”». Atëherë Jozefi shkoi pas vëllezërve e i gjeti në Dotan. Ata e panë Jozefin që larg dhe para se të afrohej kurdisën një plan për ta vrarë. I thanë njëri-tjetrit: «Ja, po vjen ky ëndërrimtari! Ejani tani, ta vrasim e ta hedhim në një gropë e të themi se e shqyen egërsirat. Atëherë do të shohim sa i vlejnë ëndrrat!». Rubeni i dëgjoi dhe e shpëtoi Jozefin prej duarve të tyre, kur u tha: «Mos t'ia marrim jetën». Ai shtoi: «Mos derdhni gjak! Hidheni në këtë gropë, në shkretëtirë, por mos vini dorë mbi të». Ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre që t'ia kthente të atit. Kur Jozefi mbërriti te vëllezërit, ata e zhveshën. Pasi ia zhveshën tunikën shumëngjyrëshe që mbante veshur, e morën dhe e hodhën në një gropë. Gropa ishte bosh e pa ujë. Pastaj u ulën të hanë bukë. Kur ngritën sytë, panë një karvan ishmaelitësh që po vinte nga Gileadi e po shkonte për në Egjipt me deve të ngarkuara me rrëshirë, balsam e mirrë. Atëherë Juda u tha vëllezërve: «Çfarë përfitimi kemi nëse e vrasim vëllanë e ia fshehim kufomën. Ejani, t'ua shesim ishmaelitëve e të mos vëmë dorë mbi të, se është vëllai e gjaku ynë». Kur tregtarët midianitë kaluan andej, e nxorën Jozefin nga gropa e ua shitën ishmaelitëve për njëzet sikla argjendi. Ata e çuan Jozefin në Egjipt. Rubeni u kthye te gropa, por Jozefi nuk ishte atje. Atëherë shqeu rrobat, u kthye te vëllezërit e u tha: «Djali nuk është më atje! Kah t'ia mbaj unë tani?». Pastaj morën tunikën e Jozefit dhe e zhytën në gjakun e një cjapi që therën. Ia sollën tunikën shumëngjyrëshe të atit e i thanë: «Gjetëm këtë! Shikoje mirë! A është e djalit tënd apo jo?». Ai e njohu tunikën e tha: «Është tunika e tim biri. E paskan ngrënë egërsirat. Copë-copë ma paskan bërë Jozefin!». Atëherë Jakobi shqeu rrobat e veta, vuri një grathore rreth ijëve dhe e vajtoi të birin për një kohë të gjatë. U ngritën për ta ngushëlluar të gjithë bijtë e bijat, por ai nuk donte të ngushëllohej e thoshte: «Duke vajtuar do të zbres në skëterrë, tek im bir». Kështu e vajtoi ati të birin. Ndërkohë midianitët e shitën Jozefin në Egjipt. Ia shitën Potifarit, oborrtarit të faraonit, komandantit të rojave. Në atë kohë Juda u largua nga vëllezërit e banoi pranë Hirahut, një burrë nga Adulamia. Aty, Juda pa bijën e një kananiti që quhej Shua. E mori e fjeti me të. Ajo mbeti shtatzënë e lindi një djalë që ai e quajti Er. Ajo mbeti përsëri shtatzënë e lindi një djalë që e quajti Onan. Ajo lindi edhe një djalë tjetër që e quajti Shelah. Kur ndodhi kjo, Juda ishte në Kezib. Juda i gjeti një grua Erit, të parëlindurit. Ajo quhej Tamarë. Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i lig para Zotit dhe Zoti e vrau. Atëherë Juda i tha Onanit: «Fli me gruan e tët vëllai e martohu me të, si kunat që je, që ta mbash gjallë farën e vëllait tënd». Por Onani e dinte që fëmijët nuk do të njiheshin si të tijtë, prandaj sa herë që flinte me gruan e të vëllait e derdhte farën përtokë, që të mos e mbante gjallë farën e të vëllait. Kjo gjë ishte e ligë para Zotit, prandaj Zoti e vrau edhe Onanin. Atëherë Juda i tha Tamarës, të resë: «Rri si vejushë në shtëpinë e atit tënd derisa të rritet im bir, Shelahu». Sepse kishte frikë se edhe ky do t'i vdiste si të tjerët. Kështu, Tamara shkoi e jetoi në shtëpinë e të atit. Pas një kohe të gjatë, vdiq gruaja e Judës, bija e Shuaut. Kur mbaruan ditët e zisë, Juda bashkë me mikun e tij, Hirahun nga Adulamia, shkuan në Timnah te qethësit e dhenve. Tamarën e lajmëruan që vjehrri i saj po shkonte në Timnah për të qethur dhentë. Ajo hoqi rrobat e vejërisë, u mbulua me një vel, u mbështoll e tëra dhe u ul në hyrje të Enaimit që ishte rrugës për në Timnah. E bëri këtë, sepse kishte parë që Shelahu ishte rritur, por nuk ia kishin dhënë për burrë. Juda e pa dhe e kujtoi për lavire, se ajo e kishte fytyrën të mbuluar. Ai iu afrua buzë rrugës e i tha: «Eja të flemë bashkë!», sepse nuk e dinte se ishte e reja e tij. Ajo i tha: «Çfarë do të më japësh që të flesh me mua?». Ai iu përgjigj: «Do të të çoj një kec nga kopeja». Ajo tha: «Vetëm nëse më jep një peng derisa të ma dërgosh». Ai i tha: «Çfarë pengu do që të të jap?». Ajo i tha: «Vulën, varësen dhe shkopin që ke në dorë». Ai ia dha. Fjeti me të e ajo mbeti shtatzënë. Pastaj Tamara u ngrit e u largua. Hoqi velin e veshi rrobat e vejërisë. Juda ia çoi kecin përmes mikut nga Adulamia që t'i merrte pengun, por ai nuk e gjeti. I pyeti vendasit: «Ku është lavirja e kultit që rrinte në Enaim, pranë rrugës?». Ata i thanë: «Këtu nuk ka pasur lavire kulti». Pastaj u kthye te Juda e i tha: «Nuk e gjeta dhe vendasit më thanë se aty nuk ka pasur lavire kulti». Atëherë Juda tha: «Le ta mbajë pengun, përndryshe do të bëhemi gazi i botës. Ja, unë ia çova kecin, por ti nuk e gjete». Pas tre muajsh e lajmëruan Judën e i thanë: «Tamara, e reja jote, është bërë lavire e ka mbetur shtatzënë». Atëherë Juda tha: «Nxirreni jashtë e digjeni!». Kur po e nxirrnin jashtë, ajo dërgoi njerëz te i vjehrri për t'i thënë: «Burri, të cilit i përkasin këto, më la me barrë. Shiko mirë! E kujt është kjo vulë, kjo varëse e ky shkop?». Juda i njohu e tha: «Tamara është më e drejtë se unë, sepse nuk i dhashë Shelahun, tim bir». Ai nuk fjeti më me të. Kur erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. Gjatë lindjes njëri nga binjakët nxori dorën. Mamia ia kapi dorën dhe i lidhi një fije të kuqe e tha: «Ky doli i pari». Por sapo ky e tërhoqi brenda dorën, doli i vëllai. Atëherë ajo tha: «Si çave përpara ti!». Prandaj u quajt Perec. Pastaj doli i vëllai, në dorën e të cilit ishte fija e kuqe. Ky u quajt Zerah. Jozefin e sollën në Egjipt. Potifari, një egjiptian, oborrtar i faraonit e komandant i rojave, e bleu Jozefin nga dora e ishmaelitëve që e kishin sjellë aty. Zoti ishte me Jozefin dhe atij i shkonte mbarë. Ai banoi në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian. Potifari e pa se Zoti ishte me të e ia sillte mbarë në çdo gjë që bënte. Jozefi gjeti hir para Potifarit e u bë shërbëtori i tij. Ky e caktoi kujdestar të shtëpisë e gjithçka që kishte e la në dorë të Jozefit. Qëkurse Potifari e vuri kujdestar të shtëpisë e të gjithçkaje të tijën, Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptianit për shkak të Jozefit. Zoti i bekoi çdo gjë që kishte në shtëpi e në fushë. Potifari ia la në dorë Jozefit gjithçka që kishte e nuk shqetësohej më për asgjë, përveç bukës që hante. Jozefi ishte i bukur e i pashëm. Pas këtyre ngjarjeve, gruaja e zotërisë së tij, ia vuri syrin Jozefit e i tha: «Fli me mua!». Jozefi nuk pranoi e i tha: «Falë meje, imzot nuk shqetësohet më për shtëpinë e gjithçka që ka ma ka lënë në dorë. Askush në këtë shtëpi nuk është më i madh se unë. Ai nuk më ka mohuar asgjë përveç teje, sepse ti je gruaja e tij. Si të bëj një gjë kaq të keqe e të mëkatoj kundër Perëndisë?». Ndonëse ajo i fliste përditë, Jozefi nuk pranoi të shtrihej e të flinte me të. Por një ditë ai hyri në shtëpi për të bërë punët e veta dhe në shtëpi nuk kishte njeri. Atëherë ajo e kapi prej rrobave e i tha: «Fli me mua!». Ai ia la rrobat në dorë e iku e doli përjashta. Kur pa se Jozefi ia la rrobat në dorë e iku përjashta, thirri njerëzit e shtëpisë e u tha: «Shikoni, im shoq na solli një hebre që tallet me ne. Ai erdhi tek unë që të flinte me mua, por unë bërtita me të madhe. Kur pa se e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku e doli përjashta». Ajo i mbajti rrobat e tij pranë, derisa i zoti erdhi në shtëpi. Pastaj i tha të njëjtën gjë: «Skllavi hebre që na solle, erdhi tek unë që të më ngacmojë. Por kur e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku përjashta». Kur i zoti dëgjoi fjalët e të shoqes që thoshte: «Kështu ma bëri shërbëtori yt», u zemërua. E mori Jozefin dhe e futi në burg, aty ku mbaheshin të burgosurit e mbretit. Jozefi mbeti në burg, por Zoti ishte me të. Zoti pati mëshirë për të, prandaj komandanti i burgut e mori me sy të mirë. Ky ia besoi Jozefit të gjithë të burgosurit që ishin në burg e ai u bë përgjegjës për çdo gjë që bëhej në atë vend. Komandanti nuk kujdesej më për asgjë nga ato që kishte lënë në dorë të Jozefit, sepse Zoti ishte me të dhe çdo gjë që Jozefi bënte, Zoti ia sillte mbarë. Pas këtyre ngjarjeve, kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit bënë faj ndaj zotërisë së tyre, mbretit të Egjiptit. Faraoni u zemërua me të dy oborrtarët e tij, me të parin e kupëmbajtësve e me të parin e bukëpjekësve. I futi në burg, në të njëjtin vend ku ishte i burgosur edhe Jozefi, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. Ky u caktoi Jozefin që t'u shërbente. Ata mbetën të burgosur për njëfarë kohe. Një natë kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të burgosur, panë nga një ëndërr dhe secila kishte kuptimin e vet. Kur Jozefi erdhi tek ata në mëngjes, pa se ishin të shqetësuar. Atëherë i pyeti oborrtarët e faraonit që ishin të burgosur bashkë me të: «Përse jeni kaq të mërzitur sot?». Ata thanë: «Pamë nga një ëndërr, por nuk ka kush të na i shpjegojë». Por Jozefi u tha: «A nuk e di Perëndia kuptimin e ëndrrave? M'i tregoni, pra, ëndrrat!». Atëherë i pari i kupëmbajtësve tregoi ëndrrën e vet: «Në ëndërr pashë një hardhi përpara meje. Hardhia kishte tri degë e posa filloi të bulojë, lulet çelën e vilet e rrushit u poqën. Në dorë kisha kupën e faraonit. I kapa vilet e rrushit, i shtrydha në kupë e ia dhashë faraonit në dorë». Jozefi i tha: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri degët janë tri ditë. Brenda tri ditësh faraoni do të të falë, do të të rikthejë në detyrën që kishe e ti do t'ia japësh kupën në dorë, ashtu siç bëje më parë kur ishe kupëmbajtësi i tij. Por kur të jesh i lirë më kujto e tregohu mirëdashës me mua. Më përmend para faraonit që të më nxjerrësh nga burgu, sepse me dhunë më rrëmbyen nga toka e hebrenjve. Edhe këtu nuk kam bërë asgjë që të meritoj burgun». Kur i pari i bukëpjekësve pa se shpjegimi i ëndrrës ishte i mirë, i tha Jozefit: «Edhe unë pashë një ëndërr. Mbi krye kisha tri shporta me bukë. Shporta e sipërme kishte gjithfarë ushqimesh të gatuara për faraonin, por po i hanin shpendët. Ato po hanin nga shporta që ishte mbi kokën time». Jozefi iu përgjigj: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri shportat janë tri ditë. Brenda tri ditësh faraoni do të ta presë kokën, do të të varë në pemë e shpendët do të të hanë trupin». Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit. Ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori para tyre të parin e kupëmbajtësve e të parin e bukëpjekësve. Të parin e kupëmbajtësve e rikthehu në detyrë që t'i jepte kupën në dorë. Ndërsa bukëpjekësin e vari, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jozefi. Mirëpo i pari i kupëmbajtësve nuk u kujtua për Jozefin. Ai e harroi atë. Pas plot dy vjetësh, faraoni pa një ëndërr: po qëndronte pranë lumit Nil, kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të hijshme e të majme e po kullotnin ndër xunkthe. Pas tyre dolën nga lumi edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të ligshta e të dobëta. Qëndruan pranë lopëve në breg të lumit Nil, e i hëngrën lopët e hijshme e të majme. Atëherë faraoni u zgjua. Pastaj e zuri gjumi e pa përsëri një ëndërr: shtatë kallinj të plotë e të mirë po dilnin nga një kërcell. Pas tyre dolën shtatë kallinj të hollë e të tharë nga era e lindjes, që i përpinë shtatë kallinjtë e plotë. Atëherë faraoni u zgjua. Kishte qenë në ëndërr! Në mëngjes, shpirtin e kishte të trazuar. Dërgoi njerëz e thirri të gjithë magjistarët e dijetarët e Egjiptit. Ua tregoi ëndrrat, por askush nuk mund t'ia shpjegonte. Atëherë i pari i kupëmbajtësve i tha faraonit: «Sot po më kujtohet faji im. Kur faraoni u zemërua me shërbëtorët e tij, na futi në burg, mua dhe të parin e bukëpjekësve, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. Një natë, që të dy pamë nga një ëndërr e secila ëndërr kishte kuptimin e vet. Atje, bashkë me ne, ishte një djalosh hebre, skllav i komandantit të truprojës. Ia treguam atij dhe ai na e shpjegoi secilit ëndrrën. Siç na i shpjegoi ai, ashtu edhe ndodhi. Unë u riktheva në detyrë, ndërsa tjetri u var». Atëherë faraoni dërgoi njerëz e thirri Jozefin. Ata e nxorën me të shpejtë nga burgu. Jozefi u rrua, ndërroi rrobat e doli para faraonit. Faraoni i tha Jozefit: «Kam parë një ëndërr e s'ka kush të ma shpjegojë. Kam dëgjuar se ti mund të shpjegosh çdo ëndërr që dëgjon». Jozefi iu përgjigj: «Jo unë, por Perëndia do t'i japë faraonit një përgjigje të mirë». Faraoni i tha: «Në ëndërr po qëndroja në breg të lumit Nil, kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të majme e të hijshme e po kullotnin ndër xunkthe. Pas tyre dolën edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të këputura, shumë të ligshta e të dobëta. Lopë kaq të këqija nuk kisha parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit. Ato i hëngrën shtatë lopët e para që ishin të majme, i përlanë, por nuk merrej vesh që i kishin ngrënë, sepse ishin po aq të ligshta sa në fillim. Atëherë u zgjova. Pastaj pashë në ëndërr shtatë kallinj të plotë e të mirë që po dilnin nga një kërcell. Pas tyre dolën shtatë kallinj të fishkur, të hollë e të tharë nga era e lindjes e i përpinë shtatë kallinjtë e mirë. Ua tregova magjistarëve, por askush nuk mundi të m'i shpjegojë». Atëherë Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit janë të njëjta. Faraonit i është treguar se çfarë do të bëjë Perëndia. Shtatë lopët e mira e shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrrat janë të njëjta. Shtatë lopët e dobëta e të ligshta që dolën pas tyre dhe shtatë kallinjtë bosh e të tharë nga era e lindjes janë shtatë vjet zi buke. Këtë gjë i them faraonit: atij i është zbuluar se çfarë do të bëjë Perëndia. Ja, tërë Egjipti do të ketë shtatë vite të begatshme. Pas tyre do të vijnë shtatë vite zi buke dhe gjithë begatia do të harrohet në tokën e Egjiptit. Zia e bukës do ta shkatërrojë vendin. Begatia e tokës nuk do të mbahet më mend, se zia që do të vijë më pas do të jetë shumë e madhe. Sa për ëndrrën që t'u përsërit dy herë, do të thotë se vendimi është marrë nga Perëndia dhe se ai ka për të vepruar shumë shpejt. Prandaj, faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar e të ditur që ta vendosë në krye të Egjiptit. Faraoni të caktojë mbikëqyrës në tokën e Egjiptit që, gjatë shtatë viteve të begatshme, të marrë të pestën e prodhimeve. Mbikëqyrësit të mbledhin të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vijnë. Të grumbullojnë grurë në emër të faraonit e ta ruajnë si ushqim për qytetet. Kjo, do të jetë tëmotje për vendin gjatë shtatë viteve të zisë që do të mbulojë tokën e Egjiptit. Kështu, vendi nuk do të marrë fund nga zia e bukës». Kjo gjë i pëlqeu faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij. Atëherë faraoni u tha shërbëtorëve: «A mund të gjejmë një njeri të tillë, në të cilin është shpirti i Perëndisë?!». Faraoni i tha Jozefit: «Meqë Perëndia t'i ka bërë të ditura të gjitha këto, nuk ka njeri më të zgjuar e të ditur se ty. Ti do të jesh përgjegjës për shtëpinë time e gjithë populli im do t'i bindet fjalës sate. Unë do të jem më i madh se ti vetëm sa i përket fronit». Faraoni i tha Jozefit: «Ja, të kam vënë në krye të gjithë tokës së Egjiptit». Pastaj hoqi unazën e ia vuri në gisht Jozefit. E veshi me rroba liri e i vuri në qafë një varëse të artë. E vuri në karrocë si të dytë dhe para tij thërrisnin: «Gjunjëzohuni!». Kështu, faraoni e vuri në krye të tokës së Egjiptit. Pastaj i tha: «Unë jam faraoni. Pa lejen tënde askush në tokën e Egjiptit nuk do të luajë as dorë e as këmbë». Faraoni e quajti Jozefin, Cafenat Paneah e i dha për grua Asenatën, bijën e Potiferait, priftit të Onit. Pastaj Jozefi doli nëpër Egjipt. Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur doli para faraonit, mbretit të Egjiptit. Jozefi u largua nga faraoni dhe përshkoi tërë tokën e Egjiptit. Gjatë shtatë viteve të begatshme, toka prodhoi plot. Jozefi i mblodhi gjithë ushqimet gjatë shtatë viteve të begata që gëzoi Egjipti e i grumbulloi nëpër qytete. Në çdo qytet mblodhi ushqimet e fushave përreth. Ai mblodhi shumë grurë, aq shumë sa rëra e detit, saqë ndaloi së mbajturi llogari, se ishte e pamundur. Para se të fillonin vitet e zisë, Jozefit i lindën dy djem prej Asenatës, bijës së Potiferait, priftit të Onit. Të parëlindurin e quajti Manase, sepse tha: «Perëndia më bëri t'i harroj të gjitha mundimet dhe shtëpinë e atit tim». Të dytin e quajti Efraim, sepse tha: «Perëndia më bëri të frytshëm në tokën e mjerimit». Si shkuan shtatë vitet e begatshme në tokën e Egjiptit, filluan shtatë vitet e zisë, ashtu siç kishte thënë Jozefi. Në të gjitha vendet pllakosi zia e bukës, por në tërë tokën e Egjiptit kishte bukë. Kur tërë vendin e Egjiptit e zuri uria, populli i kërkoi bukë faraonit. Atëherë ai u tha: «Shkoni te Jozefi e bëni çfarë t'ju thotë». Kur zia e bukës mbuloi gjithë faqen e dheut, Jozefi hapi të gjithë drithnikët e u shiti grurë egjiptianëve, se zia e bukës ishte e rëndë në tokën e Egjiptit. Njerëz nga të gjitha anët vinin në Egjipt për të blerë grurë nga Jozefi, se zia e bukës ishte e rëndë në të gjithë tokën. Jakobi pa se kishte grurë në Egjipt e u tha të bijve: «Ç'më shikoni njëri-tjetrin? Dëgjova se në Egjipt ka grurë. Shkoni atje e na blini grurë, që të mbetemi gjallë e të mos vdesim». Kështu, të dhjetë vëllezërit e Jozefit shkuan për të blerë grurë në Egjipt. Por Benjaminin, vëllain e Jozefit, Jakobi nuk e dërgoi me ta, se kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Kështu, bijtë e Izraelit erdhën për të blerë grurë bashkë me njerëz të tjerë, sepse në tokën e Kanaanit kishte rënë zia e bukës. Jozefi ishte i pari i vendit. Ai i shiste grurë tërë popullit. Atëherë vëllezërit e Jozefit erdhën e iu përkulën me fytyrë përdhe. Jozefi i pa vëllezërit dhe i njohu, por i trajtoi si të huaj e u foli ashpër: «Nga vini?». Ata u përgjigjën: «Vijmë nga toka e Kanaanit për të blerë ushqime». Edhe pse Jozefi i njohu vëllezërit, ata nuk e njohën. Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë dikur për ta. Atëherë u tha: «Jeni spiunë! Keni ardhur të zbuloni vendet e pambrojtura». Por ata i thanë: «Jo, imzot. Shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime. Të gjithë ne jemi bijtë e një njeriu. Jemi njerëz të ndershëm. Shërbëtorët e tu nuk janë spiunë». Ai u tha: «Jo! Keni ardhur që të zbuloni vendet e pambrojtura!». Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë dymbëdhjetë vëllezër, bij të një njeriu nga toka e Kanaanit. Vëllai i vogël është me atin tonë, ndërsa një tjetër nuk është më». Jozefi iu përgjigj: «Është siç ju thashë: ju jeni spiunë! Unë do t'ju vë në provë kështu: pasha jetën e faraonit, ju nuk do të dilni që këtej pa ardhur këtu vëllai juaj i vogël. Dërgoni njërin prej jush të marrë vëllanë tuaj. Të tjerët do të futen në burg, derisa të vërtetohen fjalët tuaja. Nëse jo, pasha faraonin, ju jeni spiunë!». Kështu, i futi në burg për tri ditë. Ditën e tretë, Jozefi u tha: «Bëni siç ju thashë e do të jetoni, sepse unë i druhem Perëndisë. Nëse jeni të ndershëm, njëri prej jush të rrijë në burg, ndërsa ju shkoni e çoni grurë te shtëpitë tuaja të uritura. Pastaj më sillni vëllanë tuaj të vogël, që të vërtetohet çfarë thatë e kështu të mos vdisni». Ata bënë siç u tha e i thanë njëri-tjetrit: «Jemi me të vërtetë fajtorë për vëllanë tonë, Jozefin, sepse e pamë sa në ankth ishte kur na lypte mëshirë dhe nuk e dëgjuam, prandaj na ra kjo fatkeqësi». Atëherë Rubeni u tha: «A nuk ju thashë të mos mëkatonit kundër djalit? Por ju nuk dëgjuat. Tani po na kërkohet shpagim për gjakun e tij!». Ata nuk e dinin se Jozefi i kuptonte, sepse u fliste me përkthyes. Jozefi u largua prej tyre e qau. Pastaj u kthye tek ata e u foli. Mori Simeonin e i vuri prangat para tyre. Dha urdhër që t'ua mbushnin thasët me grurë, t'ua vinin paratë në thesin e secilit e t'u jepnin ushqime për rrugë. Dhe kështu u bë. Ata i ngarkuan thasët mbi gomarë e u larguan që andej. Kur ishin në një bujtinë, njëri prej tyre hapi thesin për t'i dhënë tagji gomarit, dhe pa paratë në grykë të thesit. Atëherë u tha vëllezërve: «Më kanë kthyer paratë! Ja ku janë, në thes!». Atyre sa nuk u pushoi zemra e të frikësuar thanë: «Ç'është kjo që na bëri Perëndia?». Kur mbërritën në tokën e Kanaanit, te Jakobi, ati i tyre, i treguan gjithçka që u kishte ndodhur: «Zoti i atij vendi na foli ashpër e na trajtoi si spiunë. Ne i thamë: “Jemi njerëz të ndershëm e jo spiunë. Jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të një ati. Njëri nga vëllezërit nuk është më, kurse më i vogli është me atin tonë në tokën e Kanaanit”. Por ai, zoti i atij vendi, na tha: “Ja si do ta di nëse jeni të ndershëm. Lëreni një nga vëllezërit tek unë. Merrni grurë për shtëpitë tuaja të uritura dhe shkoni e më sillni vëllanë tuaj të vogël. Atëherë do ta di që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm. Pastaj do t'jua jap vëllanë tuaj e ju do të mund të bëni tregti në këtë vend”». Zbrazën thasët dhe secili gjeti në thes qeskën e vet të parave. Kur i panë, u trembën ata dhe ati i tyre. Atëherë ati i tyre, Jakobi, tha: «Më latë pa djem! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më e tani dashkeni të më merrni edhe Benjaminin! Jam unë ai që i vuaj të gjitha». Rubeni i tha të atit: «Nëse nuk ta kthej djalin vriti të dy bijtë e mi. Ma beso mua e unë do të ta kthej». Ai iu përgjigj: «Im bir nuk do të vijë me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe ky është i vetmi që ka mbetur. Po i ndodhi gjë rrugës, hidhërueshëm, do të m'i shtini thinjat në varr!». Zia e bukës ishte e rëndë mbi tokë. Kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, Jakobi, ati i tyre, u tha: «Kthehuni në Egjipt për të na blerë pak ushqime». Juda iu përgjigj: «Ai na paralajmëroi qartë se nuk mund ta takojmë pa qenë edhe vëllai ynë me ne. Nëse e lë vëllanë tonë të vijë bashkë me ne, do të shkojmë e do të blejmë ushqime për ty. Por, nëse nuk e lë, nuk do të shkojmë, sepse ai na tha se nuk mund ta takojmë pa qenë edhe vëllai ynë me ne». Atëherë Izraeli tha: «Përse ma bëtë këtë të keqe duke i treguar se kishit edhe një vëlla tjetër?». Ata i thanë: «Ai na pyeti imtësisht për veten tonë e për farefisin: “A është ati juaj ende gjallë? A keni vëlla tjetër?”. Ne iu përgjigjëm sipas pyetjeve që na bëri. Ku ta dinim ne se do të na thoshte: “Silleni edhe vëllanë tuaj!”?». Juda i tha Izraelit, të atit: «Lëre djalin me mua, që të ngrihemi e të shkojmë dhe kështu do të mbesim gjallë e nuk do të vdesim ne, ti e fëmijët tanë. Unë do të bëhem dorëzanë për të dhe mua do të më kërkosh llogari. Nëse nuk ta kthej djalin e nuk ta vë përpara, do të jem fajtor ndaj teje për tërë jetën. Po të mos ishim vonuar, tani do të ishim kthyer për herë të dytë». Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha: «Nëse është kështu puna, atëherë bëni siç po ju them: mbushini trastat me prodhimet më të mira të vendit dhe çojini atij si dhuratë, pak balsam, pak mjaltë, erëza të mira, mirrë, lajthi e bajame. Merrni me vete dyfishin e parave. Kthejani paratë që ju kishin vënë te gryka e thasëve, se ndoshta është bërë ndonjë gabim. Merreni vëllanë tuaj dhe ngrihuni e shkoni tek ai njeri. Perëndia i gjithëpushtetshëm e zbuttë këtë njeri që t'ju lirojë vëllanë tjetër dhe Benjaminin. Sa për mua, nëse mbes pa djem, le të mbes!». Atëherë morën me vete dhuratat, dyfishin e parave dhe Benjaminin. U ngritën e shkuan në Egjipt e u paraqitën para Jozefit. Kur Jozefi pa Benjaminin bashkë me ta, i tha kujdestarit të shtëpisë: «Çoji këta njerëz në shtëpi. Ther një kafshë e shtro tryezën, se do të hanë drekë me mua». Ai bëri siç i tha Jozefi dhe i solli në shtëpinë e tij. Ata i kapi frika kur i sollën në shtëpinë e Jozefit, se thoshin: «Na ka sjellë këtu për shkak të parave të gjetura në thasë herën e parë. Do të na hidhet e do të na sulet, që të na zërë skllevër e të na marrë gomarët». Prandaj, kur po hynin, iu afruan kujdestarit të shtëpisë së Jozefit e i thanë: «Të na falë imzot, ne kemi ardhur edhe herë tjetër për të blerë grurë. Kur arritëm në një bujtinë, hapëm thasët dhe secili gjeti në grykën e thasëve shumën që kishte paguar. Prandaj i kemi sjellë prapë. Kemi sjellë edhe para të tjera për të blerë ushqime. Ne nuk e dimë kush i futi paratë në thasë». Ai u tha: «Qetësohuni! Mos kini frikë! Ka qenë Perëndia juaj, Perëndia i atit tuaj, ai që ju vuri thesare në thasë. Unë për vete i mora ç'më dhatë». Pastaj iu solli Simeonin. Kur i solli në shtëpinë e Jozefit u dha ujë për të larë këmbët dhe u nxori tagji gomarëve. Ndërkohë që prisnin Jozefin për drekë, ata bënë gati dhuratat, se e morën vesh që do të hanin aty. Kur erdhi Jozefi në shtëpi, i dhanë dhuratat që kishin sjellë e iu përkulën gjer në tokë. Ai i pyeti si ishin e u tha: «A është mirë ati juaj i moshuar për të cilin më treguat? A është ende gjallë?». Ata i thanë: «Shërbëtori yt, ati ynë, është shëndoshë e mirë. Ai është ende gjallë». Pastaj u përkulën me nderim. Jozefi ngriti sytë e pa Benjaminin, të vëllanë, birin e nënës së vet e u tha: «A është ky vëllai juaj i vogël për të cilin më treguat?» dhe vazhdoi: «Perëndia pastë mëshirë për ty, biri im!». Jozefi u mallëngjye kur pa të vëllanë e doli me të shpejtë, se i erdhi për të qarë. Hyri në dhomën e vet e qau. Pastaj e lau fytyrën e doli prej dhomës. E mbajti veten e tha: «Na shtroni të hamë!». Shtruan për Jozefin veç, për vëllezërit veç dhe për egjiptianët që hanin me të veç, se egjiptianët nuk mund të hanin bashkë me hebrenjtë. Për ta kjo ishte e neveritshme. Kur i ulën vëllezërit para tij, me radhë, nga më i madhi deri te më i vogli, ata panë njëri-tjetrin të habitur. Ushqimi u shërbehej prej tryezës së Jozefit, por pjesa e Benjaminit ishte pesë herë me e madhe se e të tjerëve. Kështu, ata pinë e festuan bashkë me Jozefin. Pastaj Jozefi e urdhëroi kujdestarin e shtëpisë: «Mbushi me ushqime sa të mbajnë thasët e këtyre njerëzve dhe futi paratë e secilit në grykë të thasëve. Ndërsa kupën time të argjendtë fute në grykën e thesit të të voglit, bashkë me paratë e tij». Ai veproi siç i tha Jozefi dhe në të gdhirë, i nisën bashkë me gomarët e tyre. Ata dolën nga qyteti, por pa u larguar mirë, Jozefi i tha kujdestarit të shtëpisë: «Ngrihu e ndiqi ata njerëz! Kur t'i arrish thuaju: “Përse e shpërblyet të mirën me të keqe?! A nuk është kjo kupa që imzot e përdor për të pirë e për të parë të ardhmen? Jeni treguar të ligj me këtë që bëtë!”». Ai i arriti e u tha të njëjtat fjalë. Por ata i thanë: «Përse imzot flet kështu? Qoftë larg prej shërbëtorëve të tu të bëjnë një gjë të tillë. Ja, paratë që gjetëm në grykë të thasëve, t'i sollëm që nga toka e Kanaanit. Si mundet, pra, të vidhkemi argjend apo ar nga shtëpia e zotit tënd?! Kujtdo nga shërbëtorët e tu që do t'i gjendet kupa, ai do të vdesë e ne do të bëhemi skllevër të timzot». Ai u tha: «Mirë! Të bëhet siç thatë. Atij që do t'i gjendet kupa, ai do të bëhet skllavi im, kurse ju do të shkoni të lirë!». Kështu, secili nxitoi të shkarkojë e të hapë grykën e thesit të vet. Kujdestari i kontrolloi me radhë nga më i madhi te më i vogli dhe kupa u gjet në thesin e Benjaminit. Ata shqyen rrobat, ngarkuan gomarët e u kthyen në qytet. Atëherë Juda bashkë me vëllezërit hynë në shtëpinë e Jozefit. Ai ishte ende atje. U përkulën gjer në tokë para tij dhe ai u tha: «Çfarë bëtë kështu?! A nuk e dini se dikush si unë mund të shohë të ardhmen». Juda iu përgjigj: «Si t'i përgjigjemi timzoti? Ç'të themi e si të shfajësohemi? Perëndia e zbuloi fajin e shërbëtorëve të tu. Ja tani, jemi skllevër të timzoti, si ne, ashtu edhe ai, të cilit iu gjet kupa». Por Jozefi tha: «Larg qoftë që të bëj këtë gjë! Vetëm ai, të cilit iu gjet kupa do jetë skllavi im. Ndërsa ju shkoni në paqe tek ati juaj». Juda iu afrua Jozefit e i tha: «Të lutem imzot, lejoje shërbëtorin tënd të të thotë një fjalë e mos u zemëro me të, sepse ti je si faraoni vetë. Imzot i pyeti shërbëtorët e tij nëse ati ynë është gjallë e nëse kemi ndonjë vëlla tjetër. Ne i thamë timzoti se kemi një atë të moshuar dhe një vëlla të vogël që i lindi në pleqëri. Vëllai i tij ka vdekur dhe, meqë e ëma e ka djalë të vetëm, i ati e do fort. Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: “Ma sillni që ta shoh me sytë e mi”. Ne iu përgjigjëm timzoti: “Djali s'mund ta lërë të atin, se po e la, i ati do të vdesë”. Por ti u the shërbëtorëve të tu: “Nëse vëllai juaj i vogël nuk vjen bashkë me ju, s'keni për të më takuar”. Kur u kthyem tek ati ynë e shërbëtori yt, i treguam fjalët e timzoti. Por ai na tha: “Kthehuni e na blini ca grurë”. Ne i thamë se nuk mund të shkonim. Vetëm nëse vëllai ynë i vogël do të ishte me ne, do të mund të shkonim, se pa të nuk mund t'i dilnim përpara atij njeriu. Atëherë im atë, shërbëtori yt, na tha: “Ju e dini që gruaja më lindi dy djem. Njëri më iku e them se më është bërë copë-copë dhe që atëherë nuk e kam parë më. Nëse e merrni edhe këtë prej meje e i ndodh ndonjë gjë, këtë plak do ta hidhëroni e do ta shtini në varr”. Prandaj, nëse shkoj tek im atë, shërbëtori yt, dhe djali nuk është me ne, atëherë im atë, jeta e të cilit varet nga jeta e djalit, do të shohë se djali nuk është e do të vdesë. Kështu, shërbëtorët e tu do ta hidhërojnë plakun e do ta shtien në varr. Shërbëtori yt u bë dorëzanë për djalin para atit tim e i thashë se, nëse nuk ia sjell, do të jem fajtor para tij për tërë jetën. Prandaj, lejoje shërbëtorin tënd të marrë vendin e djalit si skllav i timzoti e djali të shkojë bashkë me vëllezërit. Si mund të shkoj tek im atë, kur djali nuk është me mua? Mos më lër të shoh mjerimin e tim eti!». Jozefi nuk e përmbajti dot veten para gjithë të pranishmëve e thirri: «Nxirrini të gjithë përjashta!». Kështu, askush nuk ishte me të kur iu dëftua vëllezërve të vet, por Jozefi qau me të madhe, saqë e morën vesh egjiptianët dhe shtëpia e faraonit. Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: «Jam Jozefi! A është ende gjallë im atë?». Por vëllezërit, të tmerruar prej Jozefit, nuk ishin në gjendje t'i përgjigjeshin. Ai u tha: «Afrohuni!» dhe ata u afruan. Pastaj u tha: «Jam Jozefi, vëllai që shitët në Egjipt! Mos u shqetësoni e mos u zemëroni me veten tuaj që më shitët këtu, se Perëndia më dërgoi para jush për t'ju shpëtuar. Sepse ky është viti i dytë i zisë mbi tokë, por kanë mbetur edhe pesë vjet të tjerë gjatë të cilëve as nuk do të lërohet, e as nuk do të korret. Perëndia më dërgoi para jush për t'ju mbajtur gjallë mbi tokë e për të shpëtuar shumë prej jush. Prandaj nuk ishit ju që më dërguat këtu, por Perëndia. Ai më bëri atë për faraonit, zot të gjithë shtëpisë së tij e prijës mbi mbarë tokën e Egjiptit. Nxitoni e shkoni tek im atë e i thoni: “Kështu thotë Jozefi, yt bir: Perëndia më bëri zot mbi mbarë Egjiptin. Eja tek unë e mos vono! Do të banosh në tokën e Goshenit e do të jesh pranë meje ti, bijtë e nipërit e tu, dhentë e qetë e tua e gjithçka ke. Atje unë do të kujdesem për ty, që ti, bijtë e tu e gjithçka ke të mos mbaroni, sepse kanë mbetur edhe pesë vjet zi buke”. Me sytë tuaj po e shihni bashkë me Benjaminin, vëllain tim, se unë që po ju flas, jam Jozefi. Tregojini tim eti për gjithë lavdinë që gëzoj në Egjipt e për gjithçka që patë. Nxitoni e ma sillni tim atë këtu». Pastaj e përqafoi Benjaminin, të vëllanë, e qau. Edhe Benjamini qau mbi supin e tij. I puthi të gjithë vëllezërit duke qarë dhe pastaj ata filluan t'i flisnin. Lajmi që kishin ardhur vëllezërit e Jozefit u mor vesh në shtëpinë e faraonit. Kjo gjë i pëlqeu faraonit dhe shërbëtorëve të tij. Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Thuaju vëllezërve të ngarkojnë kafshët e të shkojnë në tokën e Kanaanit. Pastaj të marrin me vete atin tuaj e familjet tuaja e të vijnë tek unë. Unë do t'ju jap vendin më të mirë të Egjiptit e ju do të shijoni prodhimet më të mira të vendit. Urdhëroji të marrin me vete edhe qerre nga Egjipti për fëmijët e për gratë e tyre e ta sjellin atin tuaj e të vijnë këtu. Mos t'ju vijë keq për sendet që lënë mbrapa, se të mirat e gjithë Egjiptit do të jenë tuajat». Kështu bënë bijtë e Izraelit dhe Jozefi u dha qerre e ushqime për rrugë, sipas urdhrit të faraonit. Secilit u dha rroba për të veshur, ndërsa Benjaminit i dha treqind sikla argjendi e pesë palë rroba. Të atit i dërgoi dhjetë gomarë të ngarkuar me plot të mira nga Egjipti e dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë e ushqime që t'i kishte për rrugë. Pastaj i përcolli vëllezërit dhe kur po shkonin u tha: «Mos u grindni rrugës!». Ata u larguan nga Egjipti dhe arritën në tokën e Kanaanit, te Jakobi, ati i tyre. I treguan e i thanë: «Jozefi është ende gjallë! Ai është prijës mbi mbarë tokën e Egjiptit!». Por Jakobi u shtang se nuk u besonte. Atëherë ata i treguan gjithçka që u kishte thënë Jozefi dhe kur Jakobi pa qerret që kishte dërguar Jozefi, i erdhi shpirti në vend e tha: «Mjaft! Biri im, Jozefi, qenka ende gjallë! Do të shkoj ta shoh para se të vdes!». Izraeli bashkë me gjithçka kishte u ngrit e shkoi në Bershebë e aty i kushtoi fli Perëndisë së Isakut, atit të tij. Atëherë Perëndia iu drejtua Izraelit natën në një vegim e i tha: «Jakob, Jakob!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam!». Perëndia i tha: «Unë jam Perëndia, Perëndia i atit tënd. Mos ki frikë të shkosh në Egjipt, sepse atje do të të bëj një komb të madh. Unë vetë do të shkoj bashkë me ty në Egjipt e po unë do të të kthej që andej. Jozefi do të t'i mbyllë sytë». Atëherë Jakobi u ngrit nga Bersheba dhe bijtë e Izraelit e vunë Jakobin, atin e tyre, bashkë me fëmijët e gratë e tyre, në qerret që faraoni kishte dërguar për të. I morën me vete bagëtitë e pasurinë që kishin mbledhur në tokën e Kanaanit dhe Jakobi me gjithë familjen e tij mbërritën në Egjipt. Ai e solli në Egjipt gjithë familjen e tij, bijtë, nipërit, bijat e mbesat. Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt: Jakobi e bijtë e tij. Rubeni, i parëlinduri i Jakobit. Bijtë e Rubenit, Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. Bijtë e Simeonit, Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje. Bijtë e Levit, Gershoni, Kohati e Merari. Bijtë e Judës, Eri, Onani, Shelahu, Pereci e Zerahu. Eri e Onani vdiqën në tokën e Kanaanit. Bijtë e Perecit ishin Hecroni e Hamuli. Bijtë e Isaharit, Tolai, Puahu, Jobi e Shimroni. Bijtë e Zabulonit, Seredi, Eloni e Jahleli. Këta janë bijtë që Lea ia lindi Jakobit në Padan Aram. Ajo lindi edhe një vajzë, Dinën. Bij e bija, ishin gjithsej tridhjetë e tre veta. Bijtë e Gadit: Cifioni, Hagiu, Shuniu, Ecboni, Eri, Arodi e Arieli. Bijtë e Asherit, Imnahu, Ishvahu, Ishviu, Berjahu e Seraja, motra e tyre. Bijtë e Berjahut, Heberi e Malkieli. Këta janë bijtë e Zilfës që Labani ia dha për shërbëtore Leas, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatëmbëdhjetë veta. Bijtë e Rakelës, gruas së Jakobit, Jozefi e Benjamini. Jozefit i lindën, në tokën e Egjiptit, Manaseu dhe Efraimi. Ia lindi Asenata, bija e Potiferait, priftit të Onit. Bijtë e Benjaminit, Belai, Bekeri, Ashbeli, Gerai, Namani, Ehiu, Roshi, Mupimi, Hupimi e Aredi. Këta janë bijtë e Rakelës që ia lindi Jakobit. Gjithsej dyzet veta. Bijtë e Danit, Hushimi. Bijtë e Neftaliut, Jahceli, Guniu, Jeceri e Shilemi. Këta janë bijtë e Bilhës që Labani ia dha për shërbëtore Rakelës, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatë veta. Të gjithë ata që erdhën në Egjipt me Jakobin, pasardhësit e tij, pa përfshirë gratë e të bijve, ishin gjithsej gjashtëdhjetë e gjashtë. Ndërsa bijtë e Jozefit që i lindën në Egjipt ishin vetëm dy. Kështu, shtatëdhjetë anëtarë të familjes së Jakobit erdhën në Egjipt. Jakobi e kishte dërguar Judën te Jozefi që t'i dilte para në Goshen. Kur arritën në Goshen, Jozefi bëri gati karrocën e shkoi atje për të takuar atin e tij, Izraelin. Sapo i doli përpara, Jozefi e përqafoi dhe qau për një kohë të gjatë mbi supin e të atit. Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Tani le të vdes, sepse të pashë e ti qenke ende gjallë!». Jozefi u tha vëllezërve dhe atyre të shtëpisë së të atit: «Do të shkoj ta njoftoj faraonin se më kanë ardhur vëllezërit dhe familja e tim eti që ishin në Kanaan. Pastaj do t'i them që jeni barinj, se gjithmonë jeni marrë me blegtori e që keni sjellë me vete dhentë e qetë tuaja e gjithçka keni. Kështu, kur faraoni t'ju thërrasë e t'ju pyesë me çfarë merreni, thuajini: “Shërbëtorët e tu kanë qenë barinj që në moshë të re e deri tani, ashtu siç kanë qenë dhe etërit tanë”. Thoni kështu që të banoni në tokën e Goshenit, meqë egjiptianët kanë neveri për të gjithë barinjtë». Atëherë Jozefi shkoi e njoftoi faraonin: «Im atë e vëllezërit e mi kanë ardhur nga toka e Kanaanit bashkë me dhentë e qetë e tyre dhe me gjithçka kanë dhe tani ndodhen në tokën e Goshenit». Jozefi kishte zgjedhur pesë nga vëllezërit e i kishte nxjerrë para faraonit. Atëherë faraoni u tha vëllezërve: «Me çfarë merreni?». Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë barinj, ashtu siç kanë qenë edhe etërit tanë. Kemi ardhur për të banuar si të huaj, se zia e bukës është aq e rëndë në tokën e Kanaanit, saqë nuk ka më kullota për bagëtitë e shërbëtorëve të tu. Prandaj, lejoji shërbëtorët e tu të banojnë në Goshen». Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Yt atë dhe vëllezërit e tu erdhën te ti. Toka e Egjiptit është para teje. Vendose tët atë e vëllezërit e tu në vendin më të mirë. Le të banojnë në tokën e Goshenit e nëse di se ndonjëri prej tyre është i aftë, vendose si kryembikëqyrës të bagëtive të mia». Pastaj Jozefi mori me vete Jakobin, të atin, dhe e nxori para faraonit. Jakobi e bekoi faraonin. Atëherë faraoni e pyeti Jakobin: «Sa vjeç je?». Ai iu përgjigj: «Kam njëqind e tridhjetë vjet që endem në këtë botë. Të pakta e të liga kanë qenë vitet e jetës sime dhe ende nuk i kam mbushur vitet e shtegtimit të etërve të mi». Pastaj Jakobi e bekoi faraonin e u largua prej tij. Atëherë Jozefi i vendosi të atin e vëllezërit të banonin atje ku i kishte urdhëruar faraoni dhe, në tokën e Egjiptit, u dha për pronë tokën më të mirë që ishte në vendin e Ramsesit. Jozefi u kujdes për të atin, për vëllezërit e vet dhe për gjithë familjen e atit të tij e u dha bukë sipas numrit të fëmijëve. Zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë nuk kishte bukë në gjithë vendin. Toka e Egjiptit dhe e Kanaanit u shkretuan prej zisë. Prej shitjes së grurit, Jozefi mblodhi të gjitha paratë që gjendeshin në tokën e Egjiptit e Kanaanit dhe i dorëzoi në thesarin e faraonit. Kur paratë mbaruan në tokën e Egjiptit e Kanaanit, gjithë Egjipti erdhi te Jozefi e i tha: «Na jep bukë, sepse na kanë mbaruar paratë. Pse duhet të vdesim para syve të tu?». Atëherë Jozefi u tha: «Nëse ju kanë mbaruar paratë, sillni gjënë e gjallë që t'jua këmbej me grurë». Ata ia prunë dhe Jozefi u dha ushqime në këmbim të kuajve, dhenve, qeve e gomarëve. Kështu, atë vit Jozefi i mbajti me bukë në këmbim të gjithë gjësë së gjallë. Viti kaloi, por pas një viti ata erdhën përsëri e i thanë: «S'duam t'ia fshehim zotërisë sonë se tani që na kanë mbaruar paratë dhe gjëja e gjallë i përket zotërisë sonë, nuk ka mbetur asgjë tjetër për t'i dhënë zotërisë sonë, përveç vetes e tokës tonë. Kështu do të marrim fund para syve të tu, ne bashkë me arat tona. Në këmbim të ushqimit na bli si skllevër për faraonin, ne dhe arat tona. Na jep farë gruri, që të mos vdesim e të mos na shkretohen arat». Atëherë Jozefi e bleu tërë tokën e Egjiptit për faraonin, sepse zia e bukës ishte aq e rëndë, saqë çdo egjiptiani iu desh të shiste arën e vet. Kështu, toka u bë e faraonit dhe populli u vu nën skllavëri anekënd Egjiptit. Vetëm tokat e priftërinjve, Jozefi nuk i bleu, sepse faraoni u kishte caktuar një racion buke dhe ata rronin prej saj. Për këtë arsye, priftërinjtë nuk i shitën arat e tyre. Jozefi i tha popullit: «Tani që ju kam blerë ju e arat tuaja për faraonin, ja ku e keni grurin për vete dhe për arat tuaja. Por, kur të korrni, një të pestën do t'ia jepni faraonit. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë e juaja për farë e për të ushqyer veten, familjet e fëmijët tuaj». Ata i thanë: «Na shpëtove! Në dashtë zotëria ynë, ne do të bëhemi skllevër të faraonit». Kështu, Jozefi e bëri ligj në tokën e Egjiptit: Një e pesta i takon faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk i përkasin atij. Ky ligj është deri më sot. Izraeli banoi në tokën e Egjiptit, në Goshen. Aty patën prona, u shtuan dhe u shumuan. Jakobi jetoi në tokën e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet. Ai jetoi gjithsej njëqind e dyzet e shtatë vjet. Kur po i afrohej koha për të vdekur, Izraeli thirri Jozefin, të birin, e i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, vëre dorën tënde nën kofshën time. Tregohu mirëdashës dhe besnik me mua. Mos më varros në Egjipt! Kur të pushoj me etërit e mi, më merr nga Egjipti dhe më varros në varrin e të parëve». Ai i tha: «Do të bëj siç the». Jakobi i tha: «M'u beto!» e Jozefi iu betua. Atëherë Izraeli u përkul me nderim pranë kokës së shtratit. Pas këtyre ngjarjeve Jozefin e njoftuan se i ati ishte sëmurë. Atëherë Jozefi mori me vete të dy bijtë, Manaseun dhe Efraimin. Kur i treguan Jakobit se po vinte biri i tij, Jozefi, mblodhi forcat dhe u ul mbi shtrat. Pastaj i tha Jozefit: «Perëndia i gjithëpushtetshëm m'u shfaq në Luz, në tokën e Kanaanit, e më bekoi. Ai më tha: “Ja, unë do të të shtoj, do të të shumoj e do të të bëj një shumicë popujsh. Këtë tokë do t'ua jap pasardhësve të tu si pronë të përjetshme”. Tani pra, të dy bijtë e tu, Efraimi dhe Manaseu, që të lindën në tokën e Egjiptit para se unë të vija këtu, do të jenë bijtë e mi ashtu siç janë Rubeni dhe Simeoni. Ndërsa bijtë e lindur pas tyre do të jenë të tutë dhe, për nga trashëgimia, do të thirren sipas emrit të Efraimit e Manaseut, sepse Rakela më vdiq rrugës kur po vija nga Padani. Ajo vdiq në tokën e Kanaanit, kur ishim ende larg Efratës, dhe unë e varrosa aty, rrugës për në Efratë, ku është Betlehemi». Kur Izraeli i pa bijtë e Jozefit, tha: «Kush janë këta?». Jozefi iu përgjigj të atit: «Janë bijtë e mi që Perëndia m'i dha në këtë vend». Atëherë Jakobi i tha: «M'i sill pranë që t'i bekoj». Izraelin e kishin lënë sytë për shkak të pleqërisë e nuk mund të shikonte më. Jozefi i afroi të bijtë dhe Jakobi i puthi e i përqafoi. Izraeli i tha Jozefit: «Kurrë nuk e prisja të të shihja, por ja, Perëndia më ka lejuar të shoh edhe pasardhësit e tu!». Jozefi i mori të bijtë nga prehri i të atit e u përkul me nderim gjer në tokë. Pastaj i mori të dy dhe ia afroi Jakobit. Efraimin e vuri në të djathtë të vetes, që ishte në të majtë të Izraelit, ndërsa Manaseun e vuri në të majtë të vetes, që ishte në të djathtë të Izraelit. Por Izraeli shtriu dorën e djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit, më të voglit. Ndërsa dorën e majtë e vuri mbi kryet e Manaseut. Kështu, ai i kryqëzoi duart, ndonëse Manaseu ishte i parëlinduri. Atëherë e bekoi Jozefin e tha: «Perëndia, në praninë e të cilit jetuan etërit e mi, Abrahami e Isaku, Perëndia që ka qenë bariu im gjatë tërë jetës sime deri më sot, engjëlli që më shpengoi nga çdo e keqe, ai i bekoftë djemtë. Në ta u përmendtë emri im dhe emri i etërve të mi, Abrahamit e Isakut. U shtofshin e u shumofshin mbi tokë!». Kur Jozefi pa se i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kryet e Efraimit, nuk i erdhi mirë. Ia kapi dorën të atit për t'ia hequr nga kryet e Efraimit e për t'ia vënë mbi krye Manaseut. I tha të atit: «Jo kështu, ati im! Ky është i parëlinduri. Vëre dorën e djathtë mbi kryet e tij!». Por i ati e kundërshtoi e i tha: «E di biri im, e di! Edhe ai do të bëhet një popull i madh. Megjithatë vëllai i tij i vogël do të bëhet më i madh dhe pasardhësit e tij do të bëhen mori kombesh». Atë ditë Jakobi i bekoi e u tha: «Në emrin tuaj Izraeli do të bekojë duke thënë: “Të bëftë Perëndia si Efraimi e Manaseu!”». Kështu, ai e vuri Efraimin para Manaseut. Pastaj Izraeli i tha Jozefit: «Ja, unë po vdes, por Perëndia do të jetë me ju e do t'ju kthejë në tokën e etërve tuaj. Unë po të jap një pjesë më tepër se vëllezërit e tu, pjesën që mora nga dora e amoritëve përmes shpatës dhe harkut tim». Jakobi i thirri të bijtë e u tha: «Ejani t'ju tregoj se çfarë do t'ju ndodhë në ditët që po vijnë: Mblidhuni e dëgjoni, o bijtë e Jakobit, dëgjojeni Izraelin, atin tuaj! O Ruben, i parëlinduri im, ti, fuqia e fryti i parë i burrërisë sime, i epërm në krenari e fuqi, i rrëmbyer si uji, mos paç epërsi, se u shtrive në shtrojën e atit tënd dhe e fëlliqe. Mbi shtratin tim ai u shtri. Simeoni e Levi vëllezër janë e për dhunë shpatat i kanë! Në kuvendin e tyre mos marrtë pjesë shpirti im e në mbledhjet e tyre mos qoftë nderi im. Se nga zemërimi vranë njerëz e dema gjymtuan si deshën. Mallkuar qoftë zemërimi i tyre i tërbuar e mëria e tyre mizore. Te Jakobi do t'i ndaj e nëpër Izrael do t'i shpërndaj. O Judë! Ty, do të lavdërojnë vëllezërit e tu. Mbi zverkun e armiqve të tu do të jetë dora jote. Para teje do të përkulen bijtë e atit tënd! Pjellë luani është Juda. Prej presë u ktheve biri im. Ai ulet e shtrihet si një luan e kush guxon ta zgjojë? Skeptri nuk do t'i hiqet Judës, as shkopi i prijësit këmbëve të tij. Do t'i sjellin tagrin, popujt do ta dëgjojnë. Gomarin e lidh në pjergull, kërriçin te hardhia më e mirë. Me verë e lan rrobën e tij, me lëngun e rrushit petkun. Të kuq si vera sytë e tij, të bardhë si qumështi dhëmbët. Zabuloni pranë detit do të banojë e për lundrat liman do të jetë. Kufirin në Sidon do ta ketë. Isahari është gomar i fortë, shtrirë mes dy gardhesh. Pa se vendpushimi ishte i mirë e toka e këndshme e uli kurrizin nën barrë, shërbëtor i nënshtruar u bë! Dani, popullin e vet do të gjykojë, si çdo fis tjetër i Izraelit. Qoftë si gjarpri rrugës e nepërka udhës, që thembrën e kalit kafshon e kalorësin në shpinë e rrëzon. Shpëtimin tënd pres, o Zot! Gadin do ta sulmojnë kusarët, por në kthim do t'i sulmojë ai. Asheri do të ketë bukë të shijshme e për mbretër ushqime të përzgjedhura. Neftaliu është drenushë e lirë që pjell drerë të bukur. Jozefi është si pemë frutore, si pemë frutore pranë burimit, me degë tej murit. Hidhur e qëlluan, harkëtarët e sulmuan. Por i fortë mbeti harku i tij e krahët iu forcuan nga dora e të fuqishmit të Jakobit, nga bariu e shkëmbi i Izraelit, nga Perëndia i atit tënd që të ndihmon, nga i gjithëpushtetshmi që të bekon me bekime nga qielli lart e me bekime nga humnera poshtë, me bekime nga gjiri e nga barku. Bekimet e atit tënd ua tejkalojnë bekimeve të maleve të amshuara e begatisë së kodrave të përjetshme. Ato qofshin mbi kryet e Jozefit, mbi ballin e të zgjedhurit ndër vëllezër! Benjamini është ujk grabitqar, prenë e ha në mëngjes e në mbrëmje plaçkën ndan!». Të gjithë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Kështu u tha ati i tyre kur i bekoi me radhë, secilin sipas bekimit të vet. Pastaj Jakobi i urdhëroi e u tha: «Së shpejti do të vdes. Më varrosni me etërit e mi, në shpellën që është në arën e Efron Hititit, në shpellën që ndodhet në arën e Makpelës, përballë Mamreut, në tokën e Kanaanit, në fushën që Abrahami bleu si pronë varri nga Efron Hititi. Atje janë varrosur Abrahami e Sara, gruaja e tij. Atje është varrosur Isaku e Rebeka, gruaja e tij. Atje kam varrosur Lean. Fusha e shpella iu blenë bijve të Hetit». Pasi urdhëroi të bijtë, Jakobi i mblodhi këmbët mbi shtrat e dha shpirt. Ai u varros me popullin e tij. Pastaj Jozefi e përqafoi të atin, qau dhe e puthi. Jozefi i urdhëroi shërbëtorët e tij dhe mjekët që ta balsamosnin të atin. Mjekët e balsamosën Izraelin. U deshën dyzet ditë, sepse kaq zgjaste balsamimi. Egjipti e vajtoi Jakobin për shtatëdhjetë ditë. Pasi kaloi koha e zisë, Jozefi i tha shtëpisë së faraonit: «Nëse kam gjetur hir para jush, i thoni faraonit se im atë më bëri të betohem që, kur të vdiste, ta varrosja në varrin që kishte hapur për vete në tokën e Kanaanit. Prandaj, tani, faraoni të më lërë të shkoj që të varros tim atë e pastaj do të kthehem». Atëherë faraoni i tha: «Shko e varrose atin tënd, siç iu betove». Kështu, Jozefi shkoi për të varrosur të atin. Me të shkuan të gjithë shërbëtorët e faraonit, pleqtë e shtëpisë së faraonit, tërë pleqtë e tokës së Egjiptit, e gjithë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Vetëm fëmijët, dhentë e qetë e tyre mbetën në tokën e Goshenit. Bashkë me të shkuan edhe karrocat e kalorësit dhe kështu u bë një turmë shumë e madhe njerëzish. Shkuan deri te lëmi i Atadit, që ishte përtej Jordanit, dhe atje e vajtuan me gjëmë e Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin. Kur dëgjuan vajtimin në lëmin e Atadit, banorët e Kanaanit thanë: «Qenka zi e madhe për Egjiptin!». Prandaj edhe vendi përtej Jordanit u quajt Abel Micraim. Kështu bijtë e Jakobit bënë siç ishin urdhëruar. E çuan në tokën e Kanaanit dhe e varrosën përballë Mamreut, në shpellën e arës së Makpelës, që Abrahami kishte blerë bashkë me arën si pronë varri nga Efron Hititi. Atëherë Jozefi, pasi varrosi të atin, u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit dhe tërë njerëzit që kishin shkuar për ta varrosur. Pasi u vdiq i ati, vëllezërit thanë: «Nëse Jozefi na urren ende, do të marrë hak patjetër për tërë të keqen që i bëmë!». Atëherë i çuan fjalë Jozefit e i thanë: «Yt atë, para se të vdiste, urdhëroi: “I thoni Jozefit kështu: të përgjërohem, fale fajin dhe mëkatin e vëllezërve të tu megjithëse u sollën keq me ty”. Tani pra, të lutemi, fale fajin e shërbëtorëve të Perëndisë së atit tënd!». Jozefi qau kur i dëgjoi këto fjalë. Pastaj vëllezërit e tij shkuan, u përkulën me nderim e thanë: «Ja, jemi shërbëtorët e tu!». Por Jozefi u tha: «Mos kini frikë! Mos jam Perëndia unë?! Ndonëse ju e kishit për keq, Perëndia e ktheu në të mirë, që të bëjë atë që po ndodh sot, të mbajë gjallë një popull të tërë. Prandaj, mos kini frikë. Unë do kujdesem për ju e për fëmijët tuaj». Kështu, i ngushëlloi e u foli butë. Jozefi bashkë me shtëpinë e të atit banoi në Egjipt. Ai jetoi njëqind e dhjetë vjet. I pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë dhe bijtë e Makirit, birit të Manaseut, lindën në prehrin e Jozefit. Atëherë Jozefi u tha vëllezërve: «Unë po vdes, por Perëndia me siguri do t'ju kujtojë e do t'ju nxjerrë nga kjo tokë për t'ju çuar në tokën për të cilën iu betua Abrahamit, Isakut e Jakobit». Pastaj Jozefi u kërkoi bijve të Izraelit të betohen e u tha: «Kur Perëndia t'ju kujtojë, m'i merrni me vete eshtrat prej këtij vendi». Jozefi vdiq njëqind e dhjetë vjeç. Trupin e tij e balsamosën dhe e vendosën në një sarkofag në Egjipt. Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën me Jakobin në Egjipt bashkë me familjet e tyre: Rubeni, Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Zabuloni, Benjamini, Dani, Neftaliu, Gadi e Asheri. Të gjithë pasardhësit e Jakobit ishin shtatëdhjetë veta. Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt. Jozefi, gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni vdiqën. Bijtë e Izraelit u shtuan, u rritën, u shumuan e u forcuan tej mase. Kështu, vendi u mbush me ta. Atëkohë në Egjipt doli një mbret i ri që nuk e njihte Jozefin. Ai i tha popullit të tij: «Ja, populli i Izraelit është më i madh e më i fuqishëm se ne! Ejani, të tregohemi të zgjuar me ta, përndryshe do të shtohen dhe, në rast lufte, do të bashkohen me armiqtë tanë. Do të na luftojnë e do të largohen nga ky vend». Kështu, caktuan mbikëqyrës skllevërish që t'i shtypnin me punë të detyruar. Bijtë e Izraelit ndërtuan për faraonin qytetet-depo të Pitomit e të Ramsesit. Por, sa më shumë që i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin. Egjiptianët filluan t'i kishin frikë bijtë e Izraelit. Egjiptianët i munduan si skllevër bijtë e Izraelit. Ua nxinë jetën me punë të rënda duke i detyruar të bënin llaç e tulla dhe çdo lloj pune në fushë. Ua morën shpirtin në të gjitha punët që bënin. Mbreti i Egjiptit foli edhe me mamitë e hebrenjve. Njëra prej tyre quhej Sifra, ndërsa tjetra Pua. Ai u tha: «Kur të ndihmoni gratë hebreje gjatë lindjes, nëse shihni se foshnja është djalë, vriteni, por nëse është vajzë, lëreni të rrojë». Mamitë i druheshin Perëndisë dhe nuk bënë siç u tha mbreti i Egjiptit. Ato i lanë gjallë foshnjat meshkuj. Atëherë mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e u tha: «Përse po i mbani gjallë djemtë?». Ato i thanë faraonit: «Gratë hebreje nuk janë si egjiptianet. Janë të forta dhe lindin para se t'iu vijë mamia». Perëndia u tregua i mirë me mamitë dhe populli u shtua e u bë shumë i fortë. Meqë mamitë i druheshin Perëndisë, ai u dha trashëgimtarë. Atëherë faraoni e urdhëroi tërë popullin e tij: «Hidhni në Nil çdo djalë që lind, ndërsa vajzat lërini gjallë!». Një burrë prej shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i mirë ishte, e fshehu foshnjën për tre muaj. Por, ngaqë nuk e mbante dot më fshehur, mori një shportë xunkthi, e leu me bitum e katran dhe vuri foshnjën në të. Pastaj e vendosi shportën mes kallamishteve buzë lumit Nil. E motra e foshnjës qëndroi pak më larg që të shihte se çfarë do t'i ndodhte. Atëherë bija e faraonit erdhi për t'u larë në lumë kur shërbëtoret e saj po shëtisnin buzë lumit. Pa shportën mes kallamishteve dhe dërgoi shërbëtoren që ta merrte. Kur hapi shportën, pa djalin. Dhe ja, djali po qante. Iu dhimbs e tha: «Qenka foshnjë hebreje!». Atëherë motra e foshnjës i tha bijës së faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë hebreje që të ta ushqejë foshnjën?». Ajo iu përgjigj: «Shko!» dhe vajza shkoi e thirri të ëmën e foshnjës. Pastaj bija e faraonit i tha: «Merre këtë foshnjë e mënde dhe unë do të të paguaj!». Gruaja e mori foshnjën dhe e mëndi. Kur djali u rrit, ia solli bijës së faraonit. Ajo e birësoi dhe e quajti Moisi, sepse tha: «E nxora nga uji!». Moisiu u rrit. Një ditë ai shkoi te vëllezërit e vet dhe pa punën e rëndë që bënin. Aty pa një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij. Moisiu vështroi andej-këtej dhe, kur pa që s'kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe ia fshehu trupin në rërë. Kur doli të nesërmen, pa dy hebrenj që po ziheshin. Atëherë i tha fajtorit: «Përse e rreh shokun tënd?». Ai i tha: «Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A ke ndër mend të më vrasësh sikurse vrave egjiptianin?». Moisiun e kapi frika e tha: «Me të vërtetë qenka marrë vesh se ç'bëra». Kur e mori vesh se ç'kishte bërë Moisiu, faraoni deshi ta vriste. Moisiu iku prej tij dhe banoi në tokën e Midianit. Aty u ul pranë një pusi. Prifti i Midianit kishte shtatë bija. Ato erdhën, nxorën ujë dhe mbushën koritë që t'u jepnin për të pirë dhenve të atit të tyre. Pastaj erdhën disa barinj dhe i dëbuan vajzat. Por Moisiu u ngrit, u erdhi në ndihmë vajzave e u dha ujë dhenve të tyre. Kur vajzat u kthyen tek i ati, Reueli, ai u tha: «Përse u kthyet kaq shpejt sot?». Ato i thanë: «Një egjiptian na shpëtoi prej barinjve, madje na nxori edhe ujë për dhentë». Ai u tha: «Po ai ku është? Përse e latë mbrapa? Thirreni që të hajë bukë!». Moisiut i pëlqeu të banojë me këtë njeri dhe ai i dha për grua bijën e tij, Seforën. Ajo lindi djalë dhe Moisiu e quajti Gershom, sepse tha: «Jam i ardhur në dhe të huaj!». Pas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende rënkonin nën skllavëri dhe klithën për ndihmë. Klithma e tyre për shpëtim nga skllavëria arriti te Perëndia. Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre dhe u kujtua për besëlidhjen e tij me Abrahamin, me Isakun e me Jakobin. Perëndia i pa izraelitët dhe u kujdes për ta. Moisiu po kulloste dhentë e të vjehrrit, Jetrit, priftit të Midianit, dhe i çoi dhentë përtej shkretëtirës. Ai mbërriti në Horeb, në malin e Perëndisë. Engjëlli i Zotit iu shfaq në flakën e zjarrit, në mes të shkurres. Moisiu vështroi dhe, ja, shkurrja kishte marrë flakë, por nuk po digjej. Atëherë Moisiu tha: «Po kthehem që të shoh këtë pamje të çuditshme. Përse nuk digjet shkurrja?!». Kur pa se Moisiu u kthye për të parë, Zoti e thirri nga mesi i shkurres e i tha: «Moisi, Moisi!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam!». Zoti tha: «Mos u afro këtu! Zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë». Dhe shtoi: «Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit». Atëherë Moisiu mbuloi fytyrën, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë. Pastaj Zoti i tha: «E kam parë mirë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe i kam dëgjuar klithmat e tyre për shkak të mbikëqyrësve. Ua njoh vuajtjet, prandaj dhe kam zbritur për t'i çliruar nga dora e Egjiptit dhe për t'i nxjerrë nga ky vend në një vend të mirë e të hapur, në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ky është vendi i kananitëve, i hititëve, i amoritëve, i perizitëve, i hivitëve dhe i jebusitëve. Kështu, klithma e izraelitëve mbërriti tek unë, madje edhe unë e kam parë sesi shtypen nga egjiptianët. Tani, eja të të dërgoj te faraoni që të nxjerrësh Izraelin, popullin tim, nga Egjipti». Moisiu i tha: «Kush jam unë që të shkoj te faraoni e të nxjerr izraelitët nga Egjipti?!». Por Perëndia i tha: «Unë jam me ty. Ja shenja se jam unë ai që të ka dërguar: kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, do t'i shërbeni Perëndisë në këtë mal». Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: «Nëse shkoj te izraelitët e u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju” e ata më thonë: “Si e ka emrin?”, çfarë t'u them?». Perëndia i tha Moisiut: « Unë jam ai që unë jam!». Dhe shtoi: «Kështu thuaju izraelitëve: “ Unë Jam më ka dërguar te ju”». Perëndia i tha përsëri Moisiut: «Kështu thuaju izraelitëve: “ Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakobit më ka dërguar te ju”. Ky është emri im përjetë dhe kështu do të kujtohem brez pas brezi. Shko, mblidh pleqtë e Izraelit e thuaju: “ Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut e i Jakobit m'u shfaq. Ai më tha: e kam parë mirë çfarë po ju ndodh në Egjipt dhe vendosa t'ju nxjerr nga mjerimi i Egjiptit e do t'ju çoj në tokën e kananitëve, e hititëve, e amoritëve, e perizitëve, e hivitëve, e jebusitëve, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë”. Ata do ta dëgjojnë fjalën tënde dhe ti bashkë me pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit e do t'i thoni: “ Zoti, Perëndia i hebrenjve, na u dëftua. Tani, na lër të shkojmë e të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t'i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë”. Por unë e di se mbreti i Egjiptit nuk do t'ju lejojë të shkoni nëse nuk detyrohet nga një dorë e fuqishme. Prandaj do ta shtrij dorën e do ta godas Egjiptin me gjithë mrekullitë që do të bëj atje. Atëherë faraoni do t'ju lërë të shkoni. Do t'i bëj egjiptianët t'ju shohin me sy të mirë që kur të shkoni, të mos shkoni duarbosh. Çdo grua do t'i kërkojë fqinjës, dhe asaj që banon në një shtëpi me të, rroba e sende argjendi e ari. Do t'ua ngarkoni bijve e bijave tuaja e kështu do të plaçkitni Egjiptin». Moisiu iu përgjigj Perëndisë e i tha: «Po sikur të mos më besojnë, të mos ma dëgjojnë fjalën e të më thonë: “Nuk të është shfaqur Zoti ”?». Atëherë Zoti i tha: «Çfarë ke në dorë?». Ai u përgjigj: «Një shkop». Ai i tha: «Hidhe në tokë!» dhe Moisiu e hodhi në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe Moisiu u step para tij. Por Zoti i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape prej bishti!». Ai zgjati dorën dhe e kapi. Atëherë gjarpri iu kthye në shkop. Perëndia i tha: «Kështu do të besojnë se t'u shfaq Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit». Zoti i tha përsëri: «Fute dorën në kraharor!». Moisiu futi dorën në kraharor dhe, kur e nxori, lëkura e dorës iu sëmur e iu bë e bardhë si bora. Perëndia i tha: «Fute prapë dorën në kraharor!». Ai e futi dhe, kur e nxori, dora iu kthye si më parë, si gjithë pjesa tjetër e trupit. Pastaj Perëndia i tha: «Nëse nuk të besojnë dhe nuk e pranojnë shenjën e parë, do t'i besojnë të dytës. Dhe nëse nuk u besojnë as këtyre dy shenjave e nuk ta dëgjojnë fjalën, merr ujë nga lumi Nil dhe derdhe në tokë. Atëherë uji që do të marrësh nga Nili do të kthehet në gjak mbi tokë». Por Moisiu i tha Zotit: «Të lutem, Imzot, unë kurrë nuk kam qenë njeri i gojës, as dje, as më përpara dhe as tani që i fole shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë e në të folur». Zoti i tha: «Kush ia dha gojën njeriut? Kush e bën memec apo të shurdhër? Kush e bën të shohë apo të verbër? A nuk jam unë, Zoti? Tani, pra, shko! Unë do të jem me ty kur të flasësh dhe do të të mësoj çfarë të thuash». Por Moisiu i tha: «Të lutem, Imzot, dërgo dikë tjetër». Atëherë Zoti u zemërua me Moisiun e i tha: «A nuk është Aron Leviti vëllai yt? Ai flet mirë. Ja, po del të të takojë dhe do të gëzohet kur të të shohë. Fol me të dhe tregoji çfarë të thotë. Unë do të jem me ju të dy kur të flisni e do t'ju mësoj çfarë të bëni. Lëre Aronin t'i flasë popullit në vendin tënd. Ai do të jetë goja jote dhe ti do të jesh perëndi për të. Merre edhe këtë shkop në dorë. Me të do t'i bësh shenjat». Atëherë Moisiu shkoi, u kthye te vjehrri i tij, Jetri, e i tha: «Lërmë të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt, që të shoh në janë ende gjallë». Jetri i tha Moisiut: «Shko në paqe!». Zoti i tha Moisiut në Midian: «Kthehu në Egjipt, sepse të gjithë njerëzit që donin të të vrisnin kanë vdekur». Moisiu mori me vete gruan dhe bijtë e tij, i ngarkoi mbi gomarë e u nis për në tokën e Egjiptit. Ai mori në dorë edhe shkopin e Perëndisë. Zoti i tha Moisiut: «Kur të kthehesh në Egjipt bëji para faraonit të gjitha mrekullitë që të lashë në dorë t'i bësh. Por unë do t'ia ngurtësoj zemrën dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë. Pastaj do t'i thuash faraonit: “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im i parëlindur. Prandaj po të them: lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë. Nëse nuk e lë të shkojë, unë do të vras birin tënd të parëlindur”». Rrugës, në një vend ku kaluan natën, Zoti i doli përpara dhe deshi ta vriste. Atëherë Sefora mori një gur të mprehtë, ia preu lafshën të birit dhe duke i prekur gjymtyrën, tha: «Të kam dhëndër gjaku!». Perëndia u tërhoq prej tij e ajo tha: «Dhëndër gjaku nga rrethprerja». Zoti i tha Aronit: «Shko të takosh Moisiun në shkretëtirë». Ai shkoi, i doli Moisiut përpara në malin e Perëndisë dhe e puthi. Moisiu i tregoi Aronit të gjitha fjalët që Zoti i kishte porositur të thoshte dhe të gjitha shenjat që i kishte urdhëruar të bënte. Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e mblodhën gjithë pleqtë e Izraelit. Aroni u tha tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut dhe i bëri shenjat para popullit. Populli u besoi dhe, kur dëgjuan se Zoti e kishte kujtuar Izraelin dhe e kishte parë mjerimin e tyre, u përkulën dhe e adhuruan. Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e i thanë faraonit: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Lëre popullin tim të shkojë që të më kremtojë një festë në shkretëtirë”». Por faraoni u tha: «Kush është Zoti që t'ia dëgjoj fjalën dhe ta lë Izraelin të shkojë. As Zotin nuk e njoh, as Izraelin nuk do ta lë të shkojë!». Ata i thanë: «Perëndia i hebrenjve na u dëftua. Na lër të shkojmë për tri ditë në shkretëtirë, që t'i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë, e ai të mos na godasë me murtajë e shpatë». Atëherë mbreti i Egjiptit u tha: «Moisi, Aron, përse po e nxisni popullin t'i shmanget punës? Kthehuni në punë!». Faraoni shtoi: «Tani që populli i vendit është shtuar shumë, ju prapë doni që të ndërpresë punën?». Po atë ditë faraoni u dha këtë urdhër mbikëqyrësve dhe kryepunëtorëve të popullit: «Mos i jepni më popullit kashtë sikurse bëhej më parë. Ta mbledhin vetë kashtën, por numri i tullave që do t'u kërkoni të jetë si më parë. Mos ua pakësoni numrin, sepse janë përtacë dhe prandaj thërrasin: “Na lër të shkojmë e t'i kushtojmë fli Perëndisë tonë”. T'u vështirësohet puna që të punojnë e të mos merren me fjalë të kota!». Mbikëqyrësit dhe kryepunëtorët dolën e i thanë popullit: «Kështu thotë faraoni: “Nuk do t'ju jap më kashtë! Kashtën do ta mblidhni vetë kudo që të jetë dhe puna nuk do t'ju ulet aspak”». Populli u shpërnda në gjithë tokën e Egjiptit për të mbledhur byk për kashtë. Mbikëqyrësit i detyronin të bënin përditë po aq punë sa bënin kur kishin kashtë. Kryepunëtorët izraelitë që ishin caktuar nga mbikëqyrësit e faraonit u rrahën. Atyre u thuhej: «Përse nuk keni plotësuar as dje e as sot të njëjtin numër tullash që bënit më parë?». Atëherë kryepunëtorët izraelitë shkuan te faraoni dhe iu ankuan: «Përse po sillesh kështu me shërbëtorët e tu? Shërbëtorëve të tu nuk u është dhënë kashtë dhe prapë na thuhet të bëjmë tulla. Shërbëtorët e tu i rrahin, por fajin e kanë njerëzit e tu». Faraoni u tha: «Jeni përtacë, shumë përtacë, prandaj dhe thoni: “Na lër të shkojmë e t'i kushtojmë fli Zotit ”. Tani ikni e punoni se kashtë nuk do t'ju jepet, por do të bëni të njëjtin numër tullash». Kryepunëtorët izraelitë panë se e kishin punën keq kur dëgjuan se nuk do të ulej numri i tullave që bënin përditë. Kur dolën nga faraoni takuan Moisiun e Aronin që po i prisnin. Atëherë kryepunëtorët u thanë: « Zoti ju paftë e gjykoftë, se na fëlliqët para faraonit e shërbëtorëve të tij dhe u dhatë shkas që të na vrasin». Moisiu iu drejtua Zotit e i tha: «Imzot, përse e mundon këtë popull? Për këtë më dërgove? Që kur erdha për t'i folur faraonit në emrin tënd, ai e ka munduar popullin tënd dhe ti nuk e ke shpëtuar!». Zoti i tha Moisiut: «Tani do të shohësh se çfarë do t'i bëj faraonit. Për shkak të dorës sime të fuqishme ai do ta lërë popullin të shkojë e do ta dëbojë nga toka e tij». Perëndia i tha Moisiut: «Unë jam Zoti. Abrahamit, Isakut e Jakobit iu dëftova si Perëndia i gjithëpushtetshëm, por emrin tim Zot nuk ua tregova. Unë bëra edhe një besëlidhje me ta që t'u jepja tokën e Kanaanit, tokën në të cilën banuan si të huaj. E kam dëgjuar rënkimin e izraelitëve që po shtypen nga egjiptianët dhe u kujtova për besëlidhjen time. Prandaj thuaju izraelitëve: unë, Zoti, do t'ju nxjerr nga zgjedha e Egjiptit, do t'ju çliroj nga skllavëria e tyre dhe do t'ju shpëtoj duke i goditur me krah të fuqishëm e me gjykime të rënda. Do t'ju marr për popullin tim dhe do të jem Perëndia juaj. Atëherë do ta dini se unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga zgjedha e Egjiptit. Do t'ju çoj në tokën që u betova për t'ia dhënë Abrahamit, Isakut e Jakobit dhe unë, Zoti, do t'jua jap për pronë». Kështu u tha Moisiu izraelitëve, por ata nuk e dëgjuan se ishin ligështuar nga puna e rëndë. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shko e fol me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t'i lërë izraelitët të ikin nga toka e tij». Moisiu iu përgjigj: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni kur nuk më dëgjuan as vetë izraelitët?». Por Zoti i foli Moisiut e Aronit dhe i urdhëroi izraelitët e faraonin, mbretin e Egjiptit, që izraelitët të dilnin nga toka e Egjiptit. Këta janë krerët e shtëpive të izraelitëve. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, janë Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. Këto janë familjet e Rubenit. Bijtë e Simeonit janë Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje. Këto janë familjet e Simeonit. Këta janë emrat e bijve të Levit sipas breznive: Gershoni, Kohati dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. Bijtë e Gershonit janë Libniu e Shimei sipas familjeve të tyre. Bijtë e Kohatit janë Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Kohati jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet. Bijtë e Merarit janë Mahliu e Mushiu. Këto janë familjet e Levit sipas breznive. Amrami mori për grua Johebedën, të emtën. Ajo i lindi Aronin e Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. Bijtë e Icharit janë Korahu, Nefegu e Zikriu. Bijtë e Uzielit janë Mishaeli, Elcafani e Sitri. Aroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit, motrën e Nahshonit. Ajo i lindi Nadabin, Abihuin, Eleazarin e Itamarin. Bijtë e Korahut janë Asiri, Elkanahu e Abiasafi. Këto janë familjet e Korahitëve. Ndërsa Eleazari, biri i Aronit, mori për grua një nga bijat e Putielit. Ajo i lindi Finehasin. Këta janë krerët e etërve të levitëve sipas familjeve të tyre. Ky është Aroni e Moisiu që Zoti u tha: «Nxirrini izraelitët nga toka e Egjiptit sipas grupimeve të tyre». Moisiu e Aroni ishin ata që i folën faraonit, mbretit të Egjiptit, për të nxjerrë izraelitët nga Egjipti. Ditën kur Zoti i foli Moisiut në tokën e Egjiptit, i tha: «Unë jam Zoti! Thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, gjithçka që po të them». Moisiu iu përgjigj Zotit: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni?». Zoti i tha Moisiut: «Shiko, të kam vënë si perëndi para faraonit, ndërsa Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt. Thuaji Aronit, vëllait tënd, gjithçka që do të të urdhëroj. Ai të flasë me faraonin, që t'i lërë izraelitët të shkojnë nga toka e Egjiptit. Por unë do ta ngurtësoj zemrën e faraonit, që të shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia në tokën e Egjiptit. Ai nuk do t'ju dëgjojë. Atëherë unë do të ngre dorë kundër Egjiptit, do ta gjykoj rëndë e do t'i nxjerr izraelitët, popullin e ushtrinë time, nga toka e Egjiptit. Kur të ngre dorë kundër Egjiptit, për të nxjerrë izraelitët nga mesi i tyre, egjiptianët do ta dinë se unë jam Zoti ». Moisiu e Aroni bënë ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti. Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç, ndërsa Aroni ishte tetëdhjetë e tre vjeç kur folën me faraonin. Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Nëse faraoni ju kërkon ndonjë shenjë, thuaji Aronit ta marrë shkopin e ta hedhë para faraonit dhe shkopi do të kthehet në gjarpër». Moisiu e Aroni shkuan te faraoni dhe bënë siç i kishte urdhëruar Zoti. Aroni e hodhi shkopin para faraonit e para shërbëtorëve të tij dhe shkopi u kthye në gjarpër. Atëherë faraoni thirri dijetarët dhe yshtësit. Të njëjtën gjë bënë edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e tyre. Secili hodhi shkopin e vet dhe ata u kthyen në gjarpërinj, por shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e magjistarëve. Megjithatë, faraoni u tregua kokëfortë dhe nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Faraoni është kokëfortë dhe nuk do ta lërë popullin të ikë. Shko në mëngjes te faraoni. Kur ai të dalë nga uji, dili përpara buzë lumit Nil, merr me vete shkopin që u shndërrua në gjarpër dhe thuaji: “ Zoti, Perëndia i hebrenjve, më dërgoi te ti që të të them: lëre popullin tim të shkojë në shkretëtirë, që të më shërbejë. Por ti, deri tani, nuk ke dëgjuar. Kështu thotë Zoti: me këtë do ta dish se unë jam Zoti. Ja, unë do ta godas ujin e lumit me shkopin që kam në dorë dhe uji do të shndërrohet në gjak. Peshqit në lumë do të ngordhin, lumi do të qelbet dhe egjiptianëve do t'u vijë ndot të pinë ujë nga lumi”». Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit të marrë shkopin dhe të shtrijë dorën mbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenj e mbi përrenj, mbi këneta e mbi liqene, që të kthehen në gjak. Mbarë toka e Egjiptit do të bëhet gjak, deri edhe uji në enët e drurit e të gurit». Moisiu e Aroni bënë siç i kishte urdhëruar Zoti. Ai ngriti shkopin dhe goditi ujin e lumit para faraonit e shërbëtorëve të tij. Atëherë i tërë lumi u shndërrua në gjak. Peshqit e lumit ngordhën, lumi u qelb dhe egjiptianët nuk mund të pinin më nga lumi. Mbarë toka e Egjiptit u bë gjak. Po kështu bënë edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e tyre. Faraoni u tregua kokëfortë e nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti. Faraoni u kthye e shkoi në shtëpinë e tij dhe nuk e vrau mendjen as për këtë. Tërë Egjipti hapi puse rreth e rrotull lumit, që të kishin ujë për të pirë, se uji i lumit nuk pihej. Si kaluan shtatë ditë që kur goditi lumin, Zoti i tha Moisiut: «Shko te faraoni e thuaji: “Kështu thotë Zoti: lëre popullin tim të shkojë, që të më shërbejë! Nëse nuk e lë të shkojë, unë do ta ndëshkoj tërë vendin tënd me bretkosa. Nili do të gëlojë me bretkosa që do të dalin e do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën e gjumit, në shtrat, në furra e magje, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu e të popullit tënd. Bretkosat do t'ju mbulojnë, ty, popullin tënd dhe tërë shërbëtorët e tu”». Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit të shtrijë shkopin mbi lumenj, mbi përrenj e mbi këneta, që të nxjerrë bretkosa mbi tokën e Egjiptit». Aroni shtriu dorën mbi ujëra dhe bretkosat dolën e mbuluan tokën e Egjiptit. Kështu bënë edhe magjistarët. Me shortitë e tyre nxorën bretkosa mbi tokën e Egjiptit. Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Lutjuni Zotit, që t'i largojë bretkosat prej meje e prej popullit tim dhe unë do ta lë popullin të shkojë e t'i kushtojë fli Zotit ». Moisiu iu përgjigj: «Kur dashka madhëria juaj që të lutem për të e për shërbëtorët e popullin e tij, që bretkosat të zhduken prej shtëpive tuaja e të rrinë vetëm në lumë?». Faraoni tha: «Nesër!». Pastaj Moisiu i tha: «Si të urdhërosh. Kështu do ta dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë! Bretkosat do të largohen prej teje, prej shtëpive të tua, prej shërbëtorëve të tu e prej popullit tënd dhe do të rrinë në lumë». Atëherë Moisiu e Aroni u larguan nga faraoni. Moisiu iu drejtua Zotit për bretkosat, siç i kishte thënë faraonit. Zoti bëri siç i kërkoi Moisiu dhe bretkosat ngordhën nëpër shtëpi, oborre e ara. Pastaj i mblodhën grumbuj-grumbuj dhe tërë vendi u qelb. Kur pa se gjendja u qetësua, faraoni u tregua kokëfortë e nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit të ngrejë shkopin e të godasë dheun e tokës, që të kthehet në mushkonja në tërë tokën e Egjiptit». Kështu bënë. Aroni ngriti shkopin dhe goditi dheun e tokës. Atëherë mushkonjat mbuluan njerëz e kafshë. Tërë dheu u shndërrua në mushkonja në mbarë tokën e Egjiptit. Edhe magjistarët u përpoqën të nxirrnin mushkonja me shortitë e tyre, por nuk mundën. Mushkonjat mbuluan njerëz e kafshë. Atëherë magjistarët i thanë faraonit: «Këtu ka dorë Perëndia!», por faraoni u tregua kokëfortë e nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti. Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu herët në mëngjes, dil para faraonit e, kur ai të shkojë drejt lumit, thuaji: “Kështu thotë Zoti: lëre popullin tim të shkojë të më shërbejë! Nëse nuk e lë popullin tim, do të dërgoj një mori mizash kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu, kundër popullit tënd dhe kundër shtëpive të tua. Shtëpitë e egjiptianëve dhe vendi do të mbushen me to. Por Goshenin, tokën ku banon populli im, do ta veçoj atë ditë, që të mos ketë mori mizash. Kështu do ta dish se unë, Zoti, jam edhe në këtë vend. Do të bëj dallim mes popullit tim e popullit tënd. Kjo shenjë do të ndodhë nesër”». Dhe kështu bëri Zoti. Një mori e madhe mizash mbuloi shtëpinë e faraonit dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tij. Anekënd Egjiptit toka u shkretua prej tyre. Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Shkoni e, po në këtë vend, kushtojini fli Perëndisë tuaj!». Moisiu iu përgjigj: «E pamundur! Flija që do t'i kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë, është e neveritshme për egjiptianët. Nëse kushtojmë flijime të tilla, ata do të na vrasin me gurë, prandaj duhet të shkojmë në shkretëtirë për tri ditë udhë. Atje do t'i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë, si të na thotë». Atëherë faraoni tha: «Nëse nuk shkoni tepër larg, do t'ju lë të shkoni në shkretëtirë, që t'i kushtoni fli Zotit, Perëndisë tuaj. Lutuni edhe për mua!». Moisiu i tha: «Ja, sapo të largohem prej teje, do t'i lutem Zotit, që nesër moria e mizave të largohet prej faraonit, prej shërbëtorëve të tij dhe prej popullit të tij. Veçse faraoni të mos tallet sërish duke mos e lënë popullin të shkojë t'i kushtojë fli Zotit ». Kështu Moisiu u largua nga faraoni e iu lut Zotit. Zoti bëri siç i kërkoi Moisiu. Moria e mizave u largua nga faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij. Në atë vend nuk mbeti as edhe një mizë. Por edhe kësaj here faraoni u tregua kokëfortë e nuk e la popullin të shkojë. Zoti i tha Moisiut: «Shko fol me faraonin e thuaji: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë! Nëse nuk e lë, por e pengon, dora e Zotit do të godasë me murtajë të rëndë bagëtitë e tua në fushë, kuajt, gomarët, devetë, lopët e delet. Zoti do të bëjë dallim mes bagëtive të Izraelit dhe bagëtive të Egjiptit, që asgjë të mos e prekë gjënë e izraelitëve. Zoti e ka caktuar kohën. Nesër do ta bëjë këtë gjë mbi tokë!”». Të nesërmen Zoti e bëri këtë gjë dhe tërë bagëtitë e egjiptianëve ngordhën. Prej bagëtive të izraelitëve nuk ngordhi asnjë. Faraoni dërgoi njerëz për të parë dhe ja, asnjë nga bagëtitë e izraelitëve nuk kishte ngordhur. Por faraoni u tregua kokëfortë dhe nuk e la popullin të shkojë. Atëherë Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Mbushini duart me hirin e furrës dhe Moisiu ta hedhë në ajër para faraonit. Një pluhur i imët do të përhapet mbi mbarë tokën e Egjiptit. Atëherë njerëz e kafshë në tërë Egjiptin do të mbulohen me çibanë e lunga». Kështu, ata morën hi dhe qëndruan para faraonit. Moisiu e hodhi në ajër dhe njerëzit e kafshët u mbuluan me çibanë e lunga. Madje as magjistarët nuk mund të përballeshin më me Moisiun, sepse çibanët i kishin mbuluar edhe ata vetë bashkë me mbarë Egjiptin. Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i dëgjoi, siç Zoti i kishte thënë Moisiut. Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu herët në mëngjes, dil para faraonit e thuaji: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë, se kësaj here do t'i lëshoj të gjitha gjëmat jo vetëm mbi shërbëtorët dhe popullin tënd, por edhe mbi ty, që ta dish se askush nuk është si unë në mbarë tokën. Po të kisha ngritur dorë për të të ndëshkuar me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe zhdukur prej faqes së dheut. Megjithatë të kam mbajtur gjallë që të të tregoj forcën time e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. E ti ende i kundërvihesh popullit tim dhe nuk e lë të shkojë. Ja pra, nesër në këtë kohë do të bëj të bjerë breshër i fortë, një breshër i tillë nuk ka rënë kurrë në Egjipt, qëkurse u formua e deri tani. Prandaj, dërgo njerëz të fusin brenda bagëtitë e tua dhe gjithçka ke në fushë, sepse çdo kafshë apo njeri që mbetet jashtë, do ta zërë breshri e do të vdesë”». Disa nga shërbëtorët e faraonit që patën frikë nga fjala e Zotit i futën brenda shërbëtorët dhe bagëtitë e tyre, por ata që nuk i vunë vesh fjalës së Zotit i lanë shërbëtorët dhe bagëtitë e tyre në fushë. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ngrije dorën drejt qiellit, që të bjerë breshër mbi tërë tokën e Egjiptit, mbi njerëz, mbi kafshë dhe mbi çdo bimë në fushë!». Moisiu ngriti shkopin drejt qiellit dhe Zoti bëri që qielli të gjëmojë e të shkreptijë dhe të bjerë breshër mbi tokën e Egjiptit. Ra breshër dhe rrufetë çanë qiellin. Një gjë kaq e rëndë nuk ishte parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit, që nga fillimet e tij si komb. Breshri goditi tërë tokën e Egjiptit, gjithçka që ishte në fushë, njerëz e kafshë. Çdo bimë e fushës u dëmtua dhe çdo pemë e fushës u thye. Vetëm në tokën e Goshenit, ku banonin izraelitët, nuk ra breshër. Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Kësaj here kam bërë faj. Zoti ka të drejtë, ndërsa unë dhe populli im e kemi gabim. Lutjuni Zotit, se nuk durohen më breshri dhe gjëmimet e Perëndisë! Do t'ju lë të shkoni, nuk do t'ju mbaj më». Moisiu i tha: «Sapo të dal nga qyteti do të çoj duart drejt Zotit. Gjëmimet do të pushojnë, nuk do të ketë më breshër e do ta dish se toka i përket Zotit. Por unë e di se as ti e as shërbëtorët e tu nuk e druajnë ende Zotin Perëndi». Breshri kishte dëmtuar lirin dhe elbin, sepse në atë kohë elbi kishte nxjerrë kallëza e liri kishte lulëzuar. Por gruri e tërshëra nuk ishin dëmtuar, sepse ishin drithëra të vonshëm. Kur u largua nga faraoni e nga qyteti, Moisiu çoi duart drejt Zotit. Atëherë breshri dhe gjëmimet e qiellit pushuan dhe as një pikë shiu nuk ra mbi tokë. Kur pa se shiu, breshri dhe gjëmimet pushuan, faraoni vijoi të mëkatojë. Ai dhe shërbëtorët e tij u treguan kokëfortë. Zemra e tij u ngurtësua dhe nuk i la izraelitët të shkojnë, siç kishte thënë Zoti përmes Moisiut. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shko te faraoni. Unë e kam ngurtësuar zemrën e tij dhe atë të shërbëtorëve të tij për të dëftuar shenjat e mia mes tyre, që t'i tregosh birit e nipit tënd shenjat që bëra dhe sesa ashpër u solla me Egjiptin. Kështu do ta dini se unë jam Zoti ». Moisiu e Aroni shkuan te faraoni e i thanë: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: “Deri kur nuk do të pranosh të më nënshtrohesh? Lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë! Nëse nuk pranon ta lësh popullin tim, atëherë nesër do të lëshoj karkaleca në vendin tënd. Ata do të mbulojnë tërë sipërfaqen e tokës, aq sa dheu të mos shihet më. Do të përpijnë gjithçka që mbeti e shpëtoi pas breshrit. Do t'ju përpijnë çdo pemë të fushës. Shtëpitë e tua, ato të shërbëtorëve të tu dhe tërë shtëpitë e Egjiptit do të mbushen me karkaleca. Një gjë e tillë nuk është parë kurrë as nga etërit e tu e as nga të parët e tu, që nga dita kur lindën e deri më sot”». Pasi mbaroi së foluri u kthye dhe u largua prej faraonit. Atëherë shërbëtorët i thanë faraonit: «Deri kur do t'i durojmë kurthet e këtij njeriu? Lëri këta njerëz të shkojnë e t'i shërbejnë Zotit, Perëndisë së tyre! Ende nuk e ke marrë vesh se Egjipti po rrënohet?». Moisiun e Aronin i sollën para faraonit dhe ai u tha: «Shkoni dhe shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj! Kush do të vijë me ju?». Moisiu i tha: «Do të shkojmë me të rinj e të vjetër, me bij e bija, dhen e qe, sepse do të kremtojmë për Zotin ». Faraoni iu përgjigj: « Zoti qoftë me ju po aq sa unë do t'ju lë të shkoni bashkë me fëmijët. Ja, ju keni qëllime të këqija, prandaj nuk do t'i lë të vegjlit! Të shkojnë vetëm burrat t'i shërbejnë Zotit, se edhe ju këtë po kërkonit». Pastaj i dëbuan nga prania e faraonit. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi tokën e Egjiptit që të lëshohen karkalecat e të hanë tërë barin e gjithçka mbeti mbas breshrit». Moisiu shtriu shkopin mbi tokën e Egjiptit dhe Zoti dërgoi mbi tokë erën e lindjes gjatë gjithë asaj dite e nate. Në të gdhirë, era e lindjes kishte sjellë karkalecat. Ata u lëshuan mbi tërë Egjiptin dhe u ndalën aty. Kurrë nuk kishte pasur më parë kaq shumë karkaleca dhe kurrë nuk do të kishte kaq shumë as në të ardhmen. Ata mbuluan sipërfaqen e tokës aq sa e nxinë të tërën. E përpinë mbarë barin e tokës dhe tërë frutat e pemëve që kishin mbetur mbas breshrit, në mbarë tokën e Egjiptit. Atëherë faraoni i thirri me të shpejtë Moisiun e Aronin e u tha: «Mëkatova kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. Ma falni mëkatin vetëm kësaj here dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë të paktën këtë mort prej meje». Moisiu u largua nga faraoni dhe iu lut Zotit. Atëherë Zoti solli një erë shumë të fortë nga perëndimi që i përmblodhi karkalecat e i hodhi në detin e Kuq. Asnjë karkalec nuk mbeti në tokën e Egjiptit. Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i la izraelitët të shkonin. Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit, që një errësirë e thellë të mbulojë tokën e Egjiptit!». Moisiu shtriu dorën drejt qiellit dhe një errësirë pus mbuloi tërë tokën e Egjiptit për tri ditë. Egjiptianët nuk mund të shihnin njëri-tjetrin dhe askush nuk lëvizi prej vendit për tri ditë, por në vendin ku banonin izraelitët kishte dritë. Atëherë faraoni e thirri Moisiun e i tha: «Shkoni e shërbejini Zotit! Merrni me vete edhe të vegjlit, veçse dhentë e qetë do t'i lini!». Moisiu iu përgjigj: «Ti duhet të na japësh edhe flijimet, edhe flitë e shkrumbimit, që t'ia kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë. Prandaj bagëtitë tona duhet të vijnë bashkë me ne. As edhe një këmbë kafshe nuk do të mbesë pas. Na duhet t'i marrim që t'ia kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë, sepse, derisa të mbërrijmë atje, nuk e dimë se çfarë duhet të flijojmë». Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t'i linte të shkonin. Kështu faraoni i tha: «Shporru! Ruhu se më del prapë përpara, se po më dole do të vdesësh!». Moisiu iu përgjigj: «Mirë thua! Nuk do ta shoh më fytyrën tënde!». Zoti i tha Moisiut: «Kam edhe një gjëmë për faraonin dhe Egjiptin e pas kësaj ai do t'ju lërë të ikni që këtej, madje do t'ju dëbojë. Prandaj, thuaji popullit që çdo burrë e grua t'i kërkojë fqinjit të vet enë argjendi e ari». Zoti bëri që egjiptianët t'i shikonin me sy të mirë izraelitët. Edhe Moisiu nderohej tej mase në tokën e Egjiptit. Ai nderohej prej shërbëtorëve të faraonit e prej egjiptianëve. Moisiu tha: «Kështu thotë Zoti: “Në mes të natës, do të dal anekënd Egjiptit. Të gjithë të parëlindurit e Egjiptit do të vdesin, duke filluar që nga i parëlinduri i faraonit, që ulet mbi fron, e deri tek i parëlinduri i skllaves, që rri pranë mokrës, dhe tërë të parëlindurit e kafshëve. Do të bëhet gjëmë e madhe në tërë tokën e Egjiptit. Një gjë e tillë nuk është dëgjuar kurrë më parë e kurrë nuk do të dëgjohet. Mes izraelitëve nuk do të dëgjohet as edhe një e lehur qeni kundër njerëzve e kundër kafshëve. Kështu do ta dini se Zoti bën dallim mes Egjiptit dhe Izraelit”. Atëherë tërë kjo shpurë e jotja do të vijë tek unë, do të përkulet me nderim para meje e do të më thotë: “Largohu, ti dhe tërë populli që të ndjek!”. Atëherë unë do të largohem!». Pastaj Moisiu u largua nga faraoni tërë zemërim. Zoti i tha Moisiut: «Faraoni nuk do t'ju dëgjojë, që mrekullitë e mia të shumohen në tokën e Egjiptit». Moisiu e Aroni i kishin bërë tërë këto mrekulli para faraonit e megjithatë Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i la izraelitët të iknin nga toka e tij. Zoti i tha Moisiut e Aronit në tokën e Egjiptit: «Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, muaji i parë i vitit. Flisni me bashkësinë e Izraelit dhe thuajini: “Në ditën e dhjetë të këtij muaji, secili të marrë nga një qengj për familjen e tij, një qengj për çdo shtëpi. Nëse numri i anëtarëve të shtëpisë është i vogël për një qengj, qengji të ndahet bashkë me fqinjin më të afërt sipas numrit të anëtarëve. Qengjin do ta zgjidhni sipas masës që do të hajë secili. Qengji të jetë i patëmetë, mashkull dhe motak. Merrni qengj ose kec. Ruajeni deri ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji dhe pastaj tërë bashkësia e Izraelit ta therë në muzg. Pastaj, të marrin pak nga gjaku i qengjit dhe të lyejnë të dy shtalkat dhe kryetraun e dyerve të shtëpive ku do të hahet qengji. Po atë natë, ta hanë mishin të pjekur në zjarr, me bukë të ndorme dhe me barishte të hidhura. Qengji të mos hahet i gjallë dhe në asnjë mënyrë i zier. Të piqet në zjarr, me kokë, këmbë e të brendshme. Të mos lihet asgjë nga qengji deri në mëngjes. Çdo gjë që mbetet në mëngjes të digjet në zjarr. Ja si do ta hani: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe me shkop në dorë. Ta hani me të shpejtë, sepse është Pashka e Zotit. Atë natë, do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas tërë të parëlindurit e tokës së Egjiptit, si të njerëzve, ashtu edhe të kafshëve. Perëndive të Egjiptit do t'ua bëj gjyqin unë, Zoti. Gjaku, me të cilin lyet shtëpitë tuaja, do t'ju shërbejë si shenjë. Kur të godas tokën e Egjiptit, do të shoh gjakun dhe do të kaloj tutje pa ju ndëshkuar, që të mos shfaroseni. Këtë ditë përkujtojeni e kremtojeni në nder të Zotit. Kremtojeni brez pas brezi. Ky është rregull i përhershëm. Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Në ditën e parë do të hiqni çdo tharm prej shtëpive tuaja. Kush do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në ditën e shtatë, do të zhbihet prej Izraelit. Ditën e parë dhe ditën e shtatë do të mbani një mbledhje të shenjtë. Gjatë këtyre ditëve mos bëni asnjë punë, përveç përgatitjes së ushqimit. Vetëm kjo do të lejohet. Mbajeni të kremten e Bukëve të ndorme, sepse po atë ditë unë e nxora ushtrinë tuaj nga toka e Egjiptit. Mbajeni këtë ditë brez pas brezi. Ky është rregull i përhershëm. Që nga dita e katërmbëdhjetë e muajit të parë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme. Do t'i hani deri në mbrëmjen e ditës së njëzetedytë të muajit. Për shtatë ditë nuk do të ketë tharm në shtëpitë tuaja, sepse kush ha bukë të mbrujtur do të zhbihet prej bashkësisë së Izraelit, qoftë i ardhur apo vendas. Nuk do të hani asgjë të mbrujtur. Në tërë vendin tuaj do të hahet bukë e ndorme”». Moisiu thirri pleqtë e Izraelit e u tha: «Shkoni, merrni qengja për familjet tuaja dhe flijojini për Pashkë. Merrni një tufëz hisopi, ngjyejeni në enën e gjakut dhe spërkatni me të kryetraun dhe dy shtalkat e dyerve. Askush të mos dalë nga dera e shtëpisë deri në mëngjes. Zoti do të kalojë që të ndëshkojë egjiptianët dhe, kur të shohë gjakun mbi kryetraun dhe mbi dy shtalkat e dyerve, do të kalojë tej dhe nuk do ta lërë shfarosësin t'ju hyjë në shtëpi që t'ju ndëshkojë. Mbajeni këtë rregull përherë, ju dhe fëmijët tuaj. Këtë rit ta mbani edhe kur të hyni në tokën që Zoti do t'ju japë, ashtu siç ka thënë. Kështu, kur fëmijët t'ju pyesin se çfarë kuptimi ka ky rit, u thoni se është flija e Pashkës për Zotin, sepse ai i kaloi shtëpitë e izraelitëve në Egjipt kur ndëshkoi Egjiptin dhe shtëpitë tona i shpëtoi». Atëherë populli u përkul dhe adhuroi. Ata shkuan dhe bënë ashtu siç kishte urdhëruar Zoti Moisiun e Aronin. Në mes të natës, Zoti goditi tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, nga i parëlinduri i faraonit që ulej mbi fron, deri tek i parëlinduri i të burgosurit në qeli, si edhe të parëlindurit e kafshëve. Faraoni, tërë shërbëtorët e tij dhe tërë Egjipti u zgjuan në mes të natës. Gjëmë e madhe u bë në Egjipt, se nuk mbeti shtëpi pa të vdekur. Atëherë faraoni thirri natën Moisiun e Aronin e u tha: «Çohuni e dilni prej popullit tim, ju bashkë me izraelitët! Shkoni e shërbejini Zotit, ashtu siç thatë. Merrni me vete dhentë e qetë, ashtu siç kërkuat, dhe shkoni! Më bekoni edhe mua!». Egjiptianët e nxitën popullin të ikte me të shpejtë nga Egjipti, sepse thoshin: «Po vdesim të gjithë!». Populli e mori brumin para se të mbruhej, i mbështolli magjet me rroba dhe i vuri mbi supe. Izraelitët kishin bërë siç i kishte porositur Moisiu. U kishin kërkuar egjiptianëve enë argjendi e ari dhe rroba. Zoti kishte bërë që egjiptianët ta shihnin me sy të mirë popullin, prandaj u dhanë çfarë kishin kërkuar. Kështu, populli i Izraelit e plaçkiti Egjiptin. Izraelitët u nisën prej Ramsesit drejt Sukotit. Ata ishin rreth gjashtëqind mijë burra në këmbë, pa numëruar të vegjlit. Me ta u nisën edhe një shumicë e madhe fisesh nga kombe të tjera, si dhe bagëti të shumta me dhen e qe. Izraelitët poqën kuleç të ndormë me brumin që kishin marrë me vete nga Egjipti, sepse nuk kishin tharm. Nuk patën kohë të përgatisnin ushqim për udhë, ngaqë u dëbuan me ngut prej Egjiptit. Izraelitët kishin banuar në Egjipt për katërqind e tridhjetë vjet. Si kaluan katërqind e tridhjetë vjet, po atë ditë, tërë ushtria e Zotit doli nga toka e Egjiptit. Kjo ishte një natë vigjilimi për Zotin, që t'i nxirrte izraelitët nga toka e Egjiptit. Prandaj, e njëjta natë i kushtohet Zotit dhe është një natë vigjilimi për të gjithë izraelitët brez pas brezi. Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Ky është rregulli për Pashkën: asnjë i huaj nuk do të hajë nga Pashka. Por skllavi i blerë, që ke rrethprerë, mund të hajë. As i huaji e as mëditësi nuk do të hanë. Do të hani në të njëjtën shtëpi. Nuk do ta nxirrni mishin jashtë shtëpisë dhe nuk do t'i thyeni asnjë eshtër. Duhet ta kremtojë tërë bashkësia e Izraelit. Nëse dikush që jeton si i huaj mes jush dëshiron të kushtojë Pashkën e Zotit, më parë të rrethpritet, ai bashkë me meshkujt e familjes, pastaj të marrë pjesë. Atëherë ai do të jetë si vendasit, por kush është i parrethprerë nuk do të hajë prej saj. I njëjti ligj do të vlejë si për vendasit, ashtu edhe për të huajt që banojnë mes jush». Izraelitët bënë ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiun e Aronin. Po atë ditë, Zoti i nxori izraelitët nga toka e Egjiptit sipas grupimeve të tyre. Zoti i tha Moisiut: «M'i kushto tërë të parëlindurit! Fryti i parë i çdo barku në Izrael, si i njerëzve, ashtu dhe i kafshëve, do të më përkasë mua!». Atëherë Moisiu i tha popullit: «Kujtojeni këtë ditë në të cilën dolët nga Egjipti, nga vendi i skllavërisë, sepse Zoti ju shpëtoi që andej me dorën e tij të fuqishme. Mos hani bukë të mbrujtur, sepse sot, në muajin e Abibit, po dilni nga Egjipti. Mbaje këtë rit në këtë muaj edhe kur Zoti të të çojë në tokën e kananitëve, hititëve, amoritëve, hivitëve dhe jebusitëve, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, të cilën u zotua t'ua japë etërve të tu. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme dhe ditën e shtatë do të kremtosh për nder të Zotit. Për shtatë ditë të hahet bukë e ndorme. Të mos gjendet bukë e mbrujtur e tharm askund në vendin tënd. Atë ditë do t'i thuash birit tënd: “Kjo bëhet për çfarë Zoti bëri për mua kur dola nga Egjipti”. Mbaje këtë si shenjë në dorë e në ballë që ligji i Zotit të jetë gjithmonë në buzët e tua, sepse Zoti të nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme. Mbaje këtë rregull në kohën e caktuar, vit pas viti. Kur Zoti të të çojë në tokën e Kanaanit e të ta japë atë, ashtu siç t'u betua ty dhe etërve të tu, kushtoji Zotit çdo fryt të parë të barkut. Çdo pjellë e parë e kafshëve që është mashkull do t'i përkasë Zotit. Pjellën e parë të gomarit shpaguaje me dele. Nëse nuk e shpaguan, thyeja qafën. Do të shpaguash edhe tërë të parëlindurit meshkuj të bijve të tu. Në të ardhmen, kur yt bir të pyesë për këtë rregull, thuaji: “ Zoti na nxori nga Egjipti, nga vendi i skllavërisë, me dorë të fuqishme. Kur faraoni këmbënguli që të mos iknim, Zoti vrau tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, si të kafshëve, edhe të njerëzve. Prandaj dhe unë ia flijoj Zotit çdo fryt të parë të barkut që është mashkull, por të parëlindurit e bijve të mi i shpaguaj”. Mbaje këtë si shenjë në dorë e si shirita në ballë, sepse Zoti na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme». Faraoni e la popullin të ikë, por Perëndia nuk u priu nëpër tokën e filistinëve, edhe pse ishte më afër, sepse tha se po të përballej me luftë, populli do të pendohej e do të kthehej në Egjipt. Kështu, Perëndia e solli popullin nëpër shkretëtirë drejt detit të Kuq dhe izraelitët marshuan prej Egjiptit në formacion lufte. Moisiu mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse ky u kishte kërkuar bijve të Izraelit të betohen kur u kishte thënë: «Perëndia me të vërtetë do të kujtohet për ju. Kur të ndodhë kjo, m'i merrni me vete eshtrat». Pasi u larguan nga Sukoti, izraelitët fushuan në Etam, buzë shkretëtirës. Gjatë ditës, Zoti u printe përpara me një shtyllë reje për t'u treguar udhën, ndërsa gjatë natës u printe me një shtyllë zjarri për t'u dhënë dritë, që izraelitët të udhëtonin ditë e natë. Shtylla e resë dhe ajo e zjarrit ishin gjithmonë përpara popullit, ditë e natë. Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve të kthehen dhe të fushojnë para Pi Hahirotit, mes Migdolit dhe detit, para Baal Cefonit, përballë detit. Atëherë faraoni do të mendojë se izraelitët po enden kuturu dhe se janë të rrethuar nga shkretëtira. Unë do ta ngurtësoj zemrën e faraonit dhe ai do t'i ndjekë, që unë të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij. Kështu, egjiptianët do ta dinë se unë jam Zoti ». Izraelitët vepruan ashtu. Kur i treguan mbretit të Egjiptit se populli kishte ikur, ai bashkë me shërbëtorët e tij ndërruan mendje për izraelitët e thanë: «Çfarë bëmë kështu? Si i lamë të lirë?». Atëherë faraoni bëri gati karrocën dhe mori me vete popullin e tij. Mori gjashtëqind karroca të përzgjedhura dhe tërë karrocat e Egjiptit plot me luftëtarë. Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi izraelitët ndërsa dilnin me ngadhënjim. Egjiptianët i ndoqën dhe tërë karrocat, kalorësit dhe ushtria e faraonit i arritën kur po fushonin para detit, në Pi Hahirot para Baal Cefonit. Ndërkohë që faraoni afrohej, izraelitët ngritën sytë dhe ja, egjiptianët po marshonin pas tyre. I zuri një frikë e madhe dhe i thirrën Zotit. Pastaj i thanë Moisiut: «Pak varre kishte Egjipti që na solle të vdesim në shkretëtirë? Ç'na bëre kështu që na nxore nga Egjipti? A nuk të thamë që në Egjipt: “Na lër të qetë t'u shërbejmë egjiptianëve, sepse më mirë t'u shërbejmë atyre, sesa të vdesim në shkretëtirë!”». Por Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Qëndroni e shikoni sesi do t'ju shpëtojë sot Zoti. Egjiptianët që po shihni sot nuk keni për t'i parë më kurrë. Zoti do të luftojë për ju, ndërsa ju rrini qetë!». Zoti i tha Moisiut: «Përse më thërret? Thuaju izraelitëve të nisen. Ti ngri shkopin dhe shtri dorën mbi det që ta ndash atë. Kështu izraelitët do të kalojnë nëpër tokë të thatë. Unë po ngurtësoj zemrat e egjiptianëve dhe ata do t'ju ndjekin pas. Kështu, do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij, karrocat e kalorësit e tij. Atëherë egjiptianët do ta dinë që unë jam Zoti, kur do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë karrocat e kalorësit e tij». Atëherë engjëlli i Perëndisë, që printe ushtrinë e Izraelit, doli e qëndroi mbrapa tyre dhe pas qëndroi edhe shtylla e resë që u printe. Ai qëndroi mes ushtrisë së Egjiptit dhe asaj të Izraelit. Reja i mbante në errësirë egjiptianët, ndërsa izraelitëve u bënte dritë, që askush të mos i afrohej njëri-tjetrit gjatë tërë natës. Atëherë Moisiu shtriu dorën mbi det dhe Zoti, gjatë tërë natës, e zmbrapsi detin me një erë të fortë nga lindja. Zoti e ktheu detin në tokë të thatë dhe ujërat u ndanë. Izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mure nga të dyja anët. Edhe egjiptianët me të gjithë kuajt, karrocat e kalorësit e faraonit u sulën pas tyre dhe u futën në mes të detit. Në të gdhirë, Zoti i vështroi egjiptianët nga shtylla e zjarrit dhe e resë dhe e hutoi tërë ushtrinë e tyre. Ua pengoi rrotat e karrocave, saqë mezi lëviznin. Atëherë ata thanë: «T'ia mbathim prej izraelitëve, sepse Zoti po lufton për ta kundër egjiptianëve!». Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi det që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e kalorësit e tyre!». Moisiu e shtriu dorën mbi det dhe në agim deti u kthye si më parë. Egjiptianët ua mbathën kur panë se deti po vërshonte drejt tyre, por Zoti i plandosi mu në mes të detit. Ujërat vërshuan e mbuluan karroca e kalorës dhe tërë ushtrinë e faraonit që shkoi e i ndoqi pas deri në det. Asnjë prej tyre nuk mbeti gjallë. Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mur nga të dyja anët. Atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptit. Kur i panë egjiptianët të vdekur në breg të detit, izraelitët e kuptuan me ç'forcë të madhe kishte vepruar Zoti kundër Egjiptit. Atëherë populli e druajti Zotin dhe besoi në të dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij. Atëherë Moisiu e izraelitët kënduan këtë këngë për nder të Zotit: «Këndojini Zotit se madhërisht ngadhënjeu, plandosi në det kuaj e karroca. Zoti është forca ime dhe kënga ime. Ai është shpëtimi im. Është Perëndia im, atë do të lavdëroj, Perëndia i atit tim, atë do të lartësoj. Zoti është i fortë në luftë, Zot është emri i tij. Karrocat dhe ushtrinë e faraonit i vërviti në det. Të përzgjedhurit e tij, u mbytën në detin e Kuq. Ujërat i mbuluan, si gurë u fundosën. E djathta jote, o Zot, fuqi madhështore. E djathta jote, o Zot, e dërrmon armikun. Me madhështinë tënde i rrëzon kundërshtarët. Zemërimin e lëshon, që si byku t'i përpijë. Nga turfullimi yt, ujërat u bënë pirg, si mure u ngritën lart e ngrinë thellë në det. Armiku thoshte: “Do t'i ndjek, do t'i zë, e prenë do ta ndaj. Do të më ngopet shpirti. Shpatën do ta nxjerr e në dorë do t'i shtie”. Ti i fryve erës e deti i mbuloi. E ata ranë si plumb, në ujërat e tërbuara. O Zot, kush është si ti mes perëndive? Kush është si ti, madhështor në shenjtëri, i tmerrshëm në lavdi, që bën mrekulli? E shtrive të djathtën e toka i përpiu. Me mirësi udhëhoqe popullin që shpëtove. Me fuqi i prive drejt shenjtërores tënde. Dëgjuan popujt e u drodhën. Ankthi i mbërtheu banorët e Filistesë. Atëherë u tmerruan prijësit e Edomit. Trimat e Moabit i zunë të dridhurat, banorët e Kanaanit u tretën të gjithë nga frika. Tmerri e frika i pushtoi ata. Prej fuqisë së krahut tënd shtangen e ngurosen, sa të kalojë populli yt, o Zot, sa të kalojë populli që ti bleve. Popullin do ta marrësh e do ta mbjellësh në malin e trashëgimisë tënde, në banesën tënde, që ti gatite, o Zot, Në shenjtëroren që ngrite me duart e tua, Imzot. Zoti mbretëron përjetë e përgjithmonë». Kur kuajt, karrocat dhe kalorësit e faraonit hynë në det, Zoti lëshoi mbi ta ujërat e detit. Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë. Atëherë Mirjama, profetesha, motra e Aronit, mori dajren në dorë. Pas saj dolën të gjitha gratë e filluan të kërcejnë me dajre. Mirjama i printe këngës: «Këndojini Zotit, se madhërisht ngadhënjeu, plandosi në det kuaj e karroca». Pastaj Moisiu i çoi izraelitët nga deti i Kuq në shkretëtirën e Shurit. Ata udhëtuan për tri ditë nëpër shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë. Arritën në Marë, por ujin e Marës nuk e pinin dot, se ishte i hidhur. Prandaj edhe quhej Marë. Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut dhe tha: «Çfarë të pimë tani?». Moisiu i thirri Zotit dhe ai i dëftoi një lloj druri. Moisiu e hodhi në ujë dhe uji u bë i ëmbël. Në atë vend, Zoti i dha popullit rregulla e vendime. Po atje e vuri në provë e i tha: «Nëse e dëgjon me kujdes zërin e Zotit, Perëndisë tënd, nëse bën çfarë është e drejtë para tij dhe u vë vesh urdhërimeve të tij e mban tërë rregullat e tij, atëherë nuk do të lëshoj mbi ty asnjë nga gjëmat që i bëra Egjiptit. Unë jam Zoti, shëruesi yt». Pastaj izraelitët arritën në Elim. Atje kishte dymbëdhjetë burime dhe shtatëdhjetë palma. Ata fushuan pranë ujit. Tërë bashkësia e Izraelit u nis nga Elimi dhe arriti në shkretëtirën e Sinit që është mes Sinait dhe Elimit. Kjo ndodhi në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pasi dolën nga toka e Egjiptit. Kur ishin në shkretëtirë, tërë bashkësia e Izraelit zuri të murmuritë kundër Moisiut e Aronit e thoshin: «Ah, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në tokën e Egjiptit, kur uleshim pranë sofrës me mish e ngiheshim me bukë! E ju e nxorët tërë këtë bashkësi në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria». Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ja, do të bëj të bjerë bukë prej qiellit dhe populli do të dalë çdo ditë të mbledhë ushqimin e përditshëm. Kështu do ta vë në provë nëse do ta ndjekë ligjin tim apo jo. Ditën e gjashtë mblidhni dyfishin e ushqimit të çdo dite tjetër». Pastaj Moisiu e Aroni u thanë izraelitëve: «Në mbrëmje do të kuptoni se Zoti është ai që ju nxori nga toka e Egjiptit dhe në mëngjes do të shihni lavdinë e Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Sa për mua dhe Aronin, kush jemi ne që murmuritni kundër nesh?!». Moisiu vijoi: « Zoti është ai që në mbrëmje do t'ju japë mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë që të ngiheni. Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Kush qenkemi ne? Nuk po murmurtni kundër nesh, por kundër Zotit ». Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë bashkësisë së Izraelit: “Ejani para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja!”». Ndërsa Aroni po i fliste bashkësisë së Izraelit, ata u kthyen drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e Zotit u dëftua në re. Zoti i tha Moisiut: «I dëgjova murmuritjet e izraelitëve, prandaj thuaju: “Në mbrëmje do të hani mish, ndërsa në mëngjes do të ngiheni me bukë. Kështu do ta kuptoni se unë, Zoti, jam Perëndia juaj”». Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç'është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që Zoti ju ka dhënë për të ngrënë. Ja çfarë urdhëron Zoti: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”». Izraelitët mblodhën kush më shumë e kush më pak. Por, kur e peshuan, as ata që kishin mbledhur shumë nuk patën më tepër, as atyre që kishin mbledhur pak nuk u mungoi gjë. Secili kishte mbledhur aq sa i duhej për të ngrënë. Pastaj Moisiu u tha: «Askush të mos ruajë gjë për në mëngjes». Ata nuk e dëgjuan dhe disa e ruajtën deri në mëngjes. Të nesërmen, ushqimi u krimb e u qelb. Atëherë Moisiu u zemërua me ta. Kështu, secili mblidhte mëngjes për mëngjes aq sa i duhej për të ngrënë dhe, kur dielli shkëlqente fort, ajo shkrinte. Ditën e gjashtë izraelitët mblodhën dyfishin e ushqimit, dy omerë për secilin. Kur prijësit e bashkësisë erdhën dhe i treguan Moisiut, ai u tha: «Ja çfarë thotë Zoti: “Nesër është ditë pushimi. Është e shtuna e shenjtë në nder të Zotit. Çfarë keni për të pjekur e për të zier bëjeni që tani dhe gjithçka që ju tepron mbajeni e ruajeni për në mëngjes”». Kështu, ata e ruajtën deri në mëngjes, siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ushqimi as nuk u qelb e as nuk u krimb. Pastaj Moisiu u tha: «Hajeni sot sepse është e shtunë, ditë në nder të Zotit. Sot nuk do të gjeni ushqim në fushë. Për gjashtë ditë do ta mblidhni, por ditën e shtatë, të shtunën, nuk do të ketë më». Megjithatë, disa dolën për të mbledhur në ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Deri kur nuk do t'i zbatoni urdhërimet dhe ligjet e mia? Shikoni! Zoti ju caktoi të shtunën si ditë pushimi, prandaj ditën e gjashtë ju dha dyfishin e ushqimit. Secili të rrijë ku është dhe askush të mos dalë nga vendi i tij ditën e shtatë». Kështu, populli pushoi ditën e shtatë. Populli i Izraelit e quajti ushqimin manë. Ajo ishte si fara e koriandrës, me ngjyrë të bardhë e me shije si kulaçi me mjaltë. Moisiu u tha: «Ja çfarë urdhëron Zoti: “Mbani një omer manë e ruajeni për breznitë e ardhshme që ata të shohin ushqimin me të cilin ju ushqeva në shkretëtirë kur ju nxora nga toka e Egjiptit”». Moisiu i tha Aronit: «Merr një enë, mbushe me një omer manë dhe vëre para Zotit, që të ruhet për breznitë e ardhshme». Aroni e vendosi para dëshmisë që të ruhet siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Izraelitët hëngrën manë për dyzet vjet derisa arritën në tokë të banueshme, derisa arritën në kufijtë e tokës së Kanaanit. Një omer është rreth dy kilogramë. Tërë bashkësia e Izraelit u çua nga shkretëtira e Sinit dhe udhëtoi nga një vend në tjetrin, sipas urdhrit të Zotit. Pastaj fushoi në Refidim, por populli nuk kishte ujë për të pirë. Atëherë populli u grind me Moisiun e i tha: «Na jep ujë të pimë!». Moisiu u tha: «Përse grindeni me mua? Përse e tundoni Zotin?». Popullin e kishte zënë etja, prandaj murmuriti kundër Moisiut e tha: «Përse na nxore nga Egjipti? Për të na mbytur nga etja ne, fëmijët dhe bagëtitë tona?». Moisiu i thirri Zotit: «Çfarë të bëj me këtë popull? Edhe pak e do të më vrasin me gurë». Zoti iu përgjigj: «Dil para popullit, merr me vete disa nga pleqtë e Izraelit, merr edhe shkopin me të cilin godite lumin Nil e shko. Ja, unë po qëndroj para teje te shkëmbi i Horebit. Godite shkëmbin që të dalë ujë e populli të pijë». Moisiu veproi kështu para pleqve të Izraelit. Vendi u quajt Masa dhe Meriba, se aty izraelitët u grindën dhe e tunduan Zotin, kur thanë: «A është a s'është Zoti mes nesh?». Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim. Moisiu i tha Jozuehut: «Na zgjidh disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj majë kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë». Jozuehu bëri siç i tha Moisiu e doli për luftë kundër Amalekut. Ndërkohë Moisiu, Aroni e Huri u ngjitën në majë të kodrës. Sa herë që Moisiu ngrinte duart, fitonte Izraeli. Sa herë që i ulte, fitonte Amaleku. Por Moisiut iu lodhën duart. Atëherë ata morën një gur dhe ia vunë që Moisiu të ulej mbi të. Ndërkaq Aroni dhe Huri ia mbanin duart lart, njëri nga njëra anë e tjetri nga ana tjetër. Kështu, duart e Moisiut qëndruan lart deri në perëndim të diellit. Me shpatë në dorë, Jozuehu e mundi Amalekun dhe popullin e tij. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shkruaje këtë në libër që të kujtohet dhe përmendja Jozuehut, se do ta shuaj plotësisht emrin e Amalekut nën qiell». Moisiu ndërtoi një altar dhe e quajti Zoti është flamuri im, sepse tha: «Meqë u ngritën duart drejt fronit të Zotit, ai do të luftojë kundër Amalekut brez pas brezi». Jetri, prifti i Midianit, vjehrri i Moisiut, dëgjoi për gjithçka kishte bërë Perëndia për Moisiun e Izraelin, popullin e tij, dhe sesi Zoti e kishte nxjerrë nga Egjipti. Atëherë ai mori me vete Seforën, gruan e Moisiut, që Moisiu e kishte dërguar tek i ati, bashkë me dy bijtë e saj. Njëri quhej Gershom, se Moisiu kishte thënë: «Jam i ardhur në dhe të huaj!», ndërsa tjetri quhej Eliezer, se kishte thënë: «Perëndia i atit tim është ndihma ime! Ai më shpëtoi nga shpata e faraonit». Jetri, vjehrri i Moisiut, bashkë me të shoqen e Moisiut dhe bijtë e tij, shkoi te Moisiu në shkretëtirë, te vendi ku ai po fushonte, pranë malit të Perëndisë. Ai i çoi fjalë: «Jetri, vjehrri yt, po vjen te ti bashkë me gruan tënde dhe me dy bijtë e saj». Moisiu doli për të takuar të vjehrrin. Iu përkul me nderim, e puthi dhe pasi përshëndetën njëri-tjetrin hynë në tendë. Moisiu i tregoi të vjehrrit gjithçka Zoti i bëri faraonit dhe Egjiptit për hir të Izraelit. Ai i tregoi për tërë vështirësitë që kishin hasur rrugës dhe sesi Zoti i kishte shpëtuar. Jetri u gëzua për tërë të mirat që Zoti kishte bërë për Izraelin duke e çliruar nga dora e egjiptianëve. Atëherë ai tha: «Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e egjiptianëve dhe nga dora e faraonit, që e çliroi popullin nga kthetrat e Egjiptit. Tani e di se Zoti është më i madh se tërë perënditë e tjerë, sepse e tregoi kur egjiptianët u sollën me kryeneçësi kundër popullit të tij». Pastaj Jetri, vjehrri i Moisiut, kushtoi fli shkrumbimi dhe flijime për Perëndinë. Aroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën për të ngrënë bashkë me vjehrrin e Moisiut në prani të Perëndisë. Të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin. Populli qëndronte para tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kur Jetri pa gjithçka që Moisiu bënte për popullin, i tha: «Çfarë po i bën kështu popullit? Përse ulesh e gjykon i vetëm, ndërkohë që tërë populli qëndron para teje nga mëngjesi deri në mbrëmje?». Moisiu iu përgjigj të vjehrrit: «Se populli vjen tek unë për të marrë këshilla prej Perëndisë. Kur ka mosmarrëveshje, ata vijnë tek unë që t'i gjykoj dhe t'u mësoj rregullat dhe ligjet e Perëndisë». Por i vjehrri i tha: «Nuk e ke mirë punën! Do të rraskapitesh si ti, ashtu edhe populli. Kjo punë është tepër e rëndë për ty. Nuk e bën dot vetëm. Më dëgjo! Unë po të këshilloj kështu dhe Perëndia e bëftë mbarë: ti përfaqëso popullin para Perëndisë dhe paraqiti çështjet para tij. Mësoju rregullat dhe ligjet. Bëju të ditur udhën, në të cilën duhet të ecin dhe veprat që duhet të bëjnë. Por, zgjidh nga populli disa njerëz të aftë, që e druajnë Perëndinë, njerëz të besuar dhe që e urrejnë përfitimin e padrejtë. Vendosi në krye të popullit si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë dhe të dhjetë vetëve. Ata ta gjykojnë popullin në çdo kohë. Çështjet e rënda t'i paraqesin ty, ndërsa ato të rëndomtat t'i gjykojnë vetë. Kështu, barra do të të lehtësohet, se do ta ndash me të tjerë. Nëse vepron kështu dhe Perëndia e miraton, atëherë do t'i bësh ballë punës dhe gjithë ky popull do të kthehet në shtëpi i kënaqur». Moisiu e dëgjoi fjalën e të vjehrrit dhe bëri siç i tha ai. Zgjodhi prej popullit të Izraelit njerëz të aftë dhe i vuri në krye të popullit si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë dhe të dhjetë vetave. Ata e gjykonin popullin në çdo kohë. Çështjet e rënda ia paraqitnin Moisiut, ndërsa ato të rëndomtat i gjykonin vetë. Pastaj Moisiu e përcolli të vjehrrin dhe ai shkoi në vendin e vet. Në muajin e tretë pas daljes nga toka e Egjiptit, po në ato ditë, izraelitët mbërritën në shkretëtirën e Sinait. Si u nisën nga Refidimi, arritën në shkretëtirën e Sinait dhe atje izraelitët fushuan përballë malit. Moisiu u ngjit lart te Perëndia dhe Zoti i thirri nga mali e i tha: «Kështu thuaji shtëpisë së Jakobit dhe kështu tregoju bijve të Izraelit: “Ju vetë e patë si veprova me Egjiptin, si ju mbajta mbi krahë shqiponjash e ju solla tek unë. Tani pra, nëse ma dëgjoni me të vërtetë fjalën dhe mbani besëlidhjen time, atëherë, ndër gjithë popujt, ju do të jeni për mua thesar i çmuar, sepse mbarë toka është e imja. Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërore dhe një komb i shenjtë”. Këto fjalë thuaju bijve të Izraelit». Moisiu shkoi, thirri pleqtë e popullit dhe u parashtroi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti. Atëherë i gjithë populli u përgjigj njëzëri: «Do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti » dhe Moisiu ia njoftoi Zotit përgjigjen e popullit. Zoti i tha Moisiut: «Ja, unë po vij te ti në një re të dendur, që populli të dëgjojë kur të flas me ty dhe kështu të besojnë përgjithmonë edhe në ty». Kur Moisiu i njoftoi Zotit fjalët e popullit, Zoti i tha: «Shko te populli dhe shenjtëroje sot e nesër. Thuaji t'i lajnë rrobat e të jenë gati ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë para syve të gjithë popullit mbi malin e Sinait. Vendos një cak përreth popullit e thuaji: “Ruajuni se mos ngjiteni në mal apo prekni rrëzën e malit, sepse kushdo që do ta prekë, do të vritet. Askush të mos guxojë ta prekë me dorë këtë njeri. Ai të vritet me gur ose me shigjetë. Askush nuk do të lihet gjallë, qoftë njeri, qoftë kafshë. Vetëm kur të dëgjohet mirë briri mund të ngjiten në mal”». Moisiu zbriti nga mali, e shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat. Ai u tha: «Bëhuni gati për ditën e tretë. Mos prekni grua me dorë!». Në mëngjesin e ditës së tretë u dëgjuan gjëmime e vetëtima. Një re e dendur mbuloi malin dhe briri jehoi fort. Tërë populli, që ndërkohë po fushonte, u drodh nga frika. Atëherë Moisiu e nxori popullin nga fushimi që të takonte Perëndinë dhe ata qëndruan në rrëzë të malit. Mali i Sinait u bë tym krejt, sepse Zoti kishte zbritur me zjarr mbi të. Tymi ngrihej si të ishte tym furre dhe i tërë mali u tund fort. Ndërkohë që jehona e bririt sa vinte e bëhej më e fortë, Moisiu fliste dhe Perëndia i përgjigjej me zë. Zoti zbriti mbi majën e malit të Sinait dhe thirri edhe Moisiun në majë të malit. Moisiu u ngjit lart. Zoti i tha Moisiut: «Zbrit e porosite popullin të mos e kalojë cakun për të parë Zotin, përndryshe shumë prej tyre do të vdesin. Edhe priftërinjtë që i afrohen Zotit të jenë të shenjtëruar, përndryshe Zoti do të vërsulet mbi ta». Moisiu i tha Zotit: «Populli nuk ka për t'u ngjitur në malin e Sinait, sepse ti vetë na porosite që të vëmë një cak përqark malit dhe ta shenjtërojmë». Zoti i tha: «Shko, zbrit dhe pastaj ngjitu bashkë me Aronin. Priftërinjtë dhe populli të mos ngjiten te Zoti, përndryshe ai do të vërsulet mbi ta». Kështu, Moisiu zbriti te populli dhe foli me ta. Perëndia tha këto fjalë: «Unë, Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje. Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezninë e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e që zbatojnë ligjin tim. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij. Kujtoje ditën e shtunë dhe shenjtëroje. Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote e as i huaji që rri me ty. Sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka është në to. Ditën e shtatë ai pushoi, prandaj edhe Zoti e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtunë. Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. Mos vrit. Mos bëj tradhti bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd. Mos lakmo shtëpinë e tjetrit. Mos lakmo gruan e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë që është e tija». Tërë populli i dëgjoi e i pa gjëmimet, vetëtimat, jehonën e bririt dhe malin në tym, u drodh nga frika dhe qëndroi larg. Atëherë i thanë Moisiut: «Fol ti me ne e ne do të dëgjojmë. Të mos na flasë Perëndia, përndryshe do të vdesim!». Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Perëndia erdhi për t'ju sprovuar, që ta druani gjithnjë e të mos mëkatoni». Populli qëndroi larg, ndërsa Moisiu iu afrua resë së errët, ku ishte Perëndia. Zoti i tha Moisiut: «Kështu do t'u thuash izraelitëve: “Ju vetë e patë si ju fola prej qiellit! Mos bëni Perëndi tjetër përkrah meje, as prej argjendi, as prej ari. Më bëj një altar dheu e në të flijo dele e qe si fli shkrumbimi e paqtimi. Në çdo vend ku do të caktoj të nderohet emri im, do të vij për të të bekuar. Nëse më ndërton altar guri, nuk do të përdorësh gurë të latuar, se po e preke me daltë do ta përdhosësh. Mos bëj shkallë për t'u ngjitur tek altari im, që lakuriqësia jote të mos zbulohet mbi të”». Këto janë vendimet që do t'u parashtrosh: «Kur të blesh një skllav hebre, ai do të shërbejë për gjashtë vjet. Në vitin e shtatë do të lirohet pa paguar gjë. Nëse vjen vetëm, do të lirohet vetëm, nëse vjen i martuar, do të lirohet bashkë me të shoqen. Nëse i zoti i jep një grua dhe ajo i lind bij apo bija, gruaja dhe fëmijët do t'i përkasin të zotit, ndërsa ai vetë mund të shkojë i lirë. Por nëse skllavi thotë: “E dua timzot, time shoqe e fëmijët e mi dhe nuk dua të shkoj i lirë”, atëherë i zoti ta sjellë para Perëndisë. Ta sjellë para derës ose shtalkës dhe t'i shpojë veshin me fëndyell. Atëherë ai do të jetë përgjithmonë skllav i tij. Kur dikush shet të bijën si skllave, ajo nuk do të lirohet si skllevërit meshkuj. Nëse i zoti nuk e pëlqen vajzën që zgjodhi për vete, mund të kërkojë të shpaguhet, por nuk do të ketë të drejtë t'ia shesë një populli të huaj, ngaqë ka vepruar padrejtësisht me të. Nëse e zgjedh për të birin, do të sillet me të sikurse e kërkon zakoni të trajtohen bijat. Nëse merr një grua tjetër, të mos ia mohojë të parës ushqimin, rrobat dhe shtratin. Nëse nuk ia plotëson këto të tria, vajza të lirohet pa paguar gjë. Kush godet dikë e ai vdes, të dënohet me vdekje. Në rast se nuk e bën me dashje, por ndodh ngaqë Perëndia e lejon, atëherë unë do të caktoj një vend ku vrasësi të strehohet. Por nëse i sulet qëllimisht dhe e vret me dredhi, të kapet, qoftë edhe nga altari im, dhe të dënohet me vdekje. Kush godet atin e nënën e vet të dënohet me vdekje. Kush rrëmben një njeri, e shet atë apo e zënë me të në dorë, të dënohet me vdekje. Kush shan atin dhe nënën e vet, të dënohet me vdekje. Kur zihen dy vetë dhe njëri e godet tjetrin me gur apo me grusht, e ky nuk vdes, por zë shtratin dhe nëse ngrihet dhe ecën me shkop në dorë, rrahësi nuk do të dënohet, por do të paguajë për kohën që tjetri ndenji në shtrat dhe për shërimin e tij të plotë. Kur dikush rreh me shkop skllavin apo skllaven e vet dhe ata i vdesin në dorë, do të dënohet. Por, nëse ata jetojnë për një ose dy ditë, i zoti nuk do të dënohet, sepse skllevërit janë pronë e tij. Kur, gjatë një grindjeje, dikush godet një grua shtatzënë e ajo lind para kohe, por nuk ka ndonjë dëmtim, fajtori të gjobitet sipas kërkesës së bashkëshortit të saj dhe të paguajë dëmshpërblimin e miratuar nga gjykatësit. Nëse ka ndonjë dëmtim, të paguajë jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë, djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje. Kur dikush e godet në sy skllavin apo skllaven e vet dhe e verbon, ta lërë të lirë si dëmshpërblim për syrin. Nëse i thyen dhëmbin skllavit apo skllaves së vet, ta lërë të lirë si dëmshpërblim për dhëmbin. Kur një dem godet me brirë një burrë ose grua dhe njeriu vdes, demi të vritet me gurë dhe mishi të mos hahet. I zoti i demit është i pafajshëm. Nëse demi e kishte zakon prej kohësh të godiste me brirë dhe i zoti ishte vënë në dijeni, por nuk e bënte zap e për pasojë demi vret një burrë ose grua, atëherë demi të vritet me gurë dhe i zoti të dënohet me vdekje. Por nëse të zotit të demit i kërkohet ndonjë dëmshpërblim, ai të paguajë çfarëdo që i kërkohet si shpagim për jetën e vet. I njëjti ligj të zbatohet edhe nëse demi godet me brirë ndonjë djalë apo vajzë. Nëse demi godet me brirë një skllav ose skllave, i zoti i demit t'i paguajë të zotit të skllevërve tridhjetë sikla argjendi dhe demi të vritet me gurë. Kur dikush e lë hapur grykën e pusit ose nuk e mbulon pusin që ka hapur, dhe në të bie një dem ose gomar, i zoti i pusit të mbajë kafshën e ngordhur, por t'i paguajë dëmshpërblim të zotit të kafshës. Kur një dem godet me brirë demin e një tjetri dhe ky ngordh, demi që është gjallë të shitet dhe çmimi i paguar të ndahet mes të zotërve. Mes tyre të ndahet edhe demi i ngordhur. Nëse demi e kishte zakon prej kohësh të godiste me brirë, por i zoti nuk e bënte zap, atëherë ai të paguajë dem për dem, dhe kafsha e ngordhur do t'i përkasë atij. Kur dikush vjedh qe ose dele, i ther ose i shet, të paguajë pesëfish dëmshpërblim për qetë e katërfish për delet. Nëse vjedhësi vritet duke vjedhur, i zoti i shtëpisë do të jetë i pafajshëm, por nëse kjo ndodh gjatë ditës, të dënohet. Vjedhësi të paguajë patjetër dëmshpërblim. Nëse nuk ka me se të paguajë, të shitet si skllav për vjedhjen. Nëse vjedhësit i kapen gjallë kafshët e vjedhura si qetë, gomarët dhe delet, të paguajë dyfish dëmshpërblim. Kur dikush kullot bagëtinë dhe ajo kalon në arën ose vreshtin e tjetrit dhe e shkreton atë, i zoti i bagëtisë të paguajë dëmshpërblim me pjesën më të mirë të arës dhe vreshtit që ka. Kur dikush ndez zjarr dhe zjarri përhapet përmes ferrave e djeg duaj, grurë ose tërë arën, fajtori të paguajë dëmshpërblim të plotë. Kur dikush i lë mikut para apo ndonjë send tjetër për t'i ruajtur e këto vidhen nga shtëpia e tij, nëse vjedhësi kapet, të paguajë dyfish dëmshpërblim. Nëse vjedhësi nuk kapet, atëherë i zoti i shtëpisë të sillet para Perëndisë që të tregojë në ka vënë dorë apo jo mbi pronën e tjetrit. Në çdo mosmarrëveshje, ku njëra palë ka pretendime qoftë për ka, gomar, dele, rrobë apo për çdo gjë të humbur, të dyja palët të sillen para Perëndisë. Atë që Perëndia nxjerr fajtor, të paguajë dyfish dëmshpërblim. Kur dikush i lë mikut gomarin, kaun, delen, ose çdo lloj kafshe për t'i ruajtur e ato ngordhin, gjymtohen ose grabiten pa patur ndonjë dëshmitar, ai të betohet para Zotit nëse ka vënë dorë apo jo në pronën e tjetrit. Atëherë i zoti i kafshës të pranojë betimin dhe të mos kërkojë dëmshpërblim. Nëse kafsha i vidhet, t'i paguajë dëmshpërblim të zotit. Nëse e shqyejnë egërsirat, të sjellë kufomën si dëshmi që të mos paguajë dëmshpërblim. Kur dikush merr hua kafshën e të afërtit dhe ajo gjymtohet ose ngordh, ndërkohë që i zoti nuk është i pranishëm, qiramarrësi të paguajë dëmshpërblim. Nëse i zoti ndodhet aty, atëherë të mos paguajë dëmshpërblim, sepse dëmi përfshihet te qiraja e paguar. Kur dikush mashtron një vajzë të virgjër, të pafejuar, dhe fle me të, do ta marrë për grua e do t'i paguajë pajën. Edhe nëse i ati i vajzës nuk pranon t'ia japë për grua, ai ta paguajë shumën që kërkohet për pajë. Mos lër gjallë askënd që bën magji. Kush fle me kafshë, të dënohet me vdekje. Kush u flijon fli perëndive të tjerë, përveç Zotit, të shfaroset. Mos e keqtrajto e mos e shtyp të huajin, sepse ju vetë ishit të huaj në tokën e Egjiptit. Mos e mundoni vejushën dhe jetimin. Nëse i mundoni, unë do ta dëgjoj thirrjen e tyre për ndihmë, do të ndizem plot zemërim e do t'ju pres me shpatë, që gratë t'ju mbesin të veja e fëmijët jetimë. Nëse i jep para hua popullit tim, të varfërve mes jush, mos u sillni me ta si huadhënës dhe mos u kërkoni kamatë. Nëse ia merr peng tunikën mikut tënd, ktheja para se të perëndojë dielli, sepse ajo është rroba e vetme me të cilën mbështillet. Me çfarë do të mbulohet kur të flejë? Kur të më thërrasë për ndihmë do ta dëgjoj, se unë jam i mëshirshëm. Mos e shaj Perëndinë dhe mos e mallko prijësin e popullit tënd. Mos vono të kushtosh nga begatia e arës dhe e mokrës. Mua do të më japësh të parëlindurin e bijve të tu. Kështu do të veprosh edhe me qetë e delet. Për shtatë ditë i vogli do të rrijë me të ëmën. Në ditën e tetë do të ma japësh mua. Do të jeni për mua njerëz të shenjtë. Mos e hani mishin e shqyer nga egërsirat në fushë. Hidhjani qenve. Mos përhap lajme të rreme. Mos iu bëj krah të paudhit duke u bërë dëshmitar i tij. Mos ndiq shumicën për të bërë të keqen. Mos jep dëshmi të rreme në gjyq për t'i mbajtur anën shumicës duke shtrembëruar drejtësinë. Mos i mbaj anën në gjyq as të varfrit. Kur gjen kaun ose gomarin e humbur të armikut, ktheja. Kur shikon gomarin e atij që të urren, të rrëzuar nën barrë, mos e braktis, por ndihmoje ta ngrejë. Mos ia shkel të drejtën skamësit në gjyq. Mos u përfshi me padi të rreme dhe mos e vrit të pafajshmin e të drejtin, sepse unë nuk do ta shfajësoj të paudhin. Mos merr mitë, se ajo verbon të urtët dhe përmbys çështjen e të drejtëve. Mos e shtypni të huajin, sepse ju e dini mirë se ç'do të thotë të jesh i huaj, ngaqë vetë ishit të huaj në tokën e Egjiptit. Toka të mbillet e të korret për gjashtë vjet. Në vitin e shtatë, toka të pushojë dhe të lihet djerr. Të varfrit mes jush të hanë prej saj dhe çfarë mbetet, ta hanë kafshët e egra. Kështu do të veprosh edhe me vreshtat dhe ullishtat e tua. Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do të pushosh me qëllim që kau e gomari yt të çlodhen, dhe biri i shërbëtores dhe i huaji të marrin veten. Mbani çdo gjë që ju kam thënë. Mos i përmendni emrat e perëndive të tjerë e as mos i zini me gojë. Tri herë në vit kremto në nderin tim. Kremto festën e Bukëve të ndorme. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, ashtu siç të kam urdhëruar të bësh në kohën e caktuar të muajit Abib, sepse në atë muaj dole nga toka e Egjiptit. Askush të mos dalë para meje duarbosh. Kremto festën e të Korrave të prodhimeve të para që mbolle në ara. Kremto festën e të Vjelave në fund të vitit, kur mblidhen prodhimet e vona të arave. Çdo mashkull të paraqitet tri herë në vit para Zotit Perëndi. Mos e kushto gjakun e flisë sime bashkë me të mbrujturat. Mos e ruaj dhjamin e flisë të së kremtes sime për të nesërmen. Prodhimet e para të tokës, më të mirat, do t'i sjellësh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd. Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës. Ja, unë po dërgoj një engjëll para teje që të të ruajë rrugës dhe të të sjellë në vendin që kam përgatitur. Nderoje dhe dëgjoje. Mos e hidhëro, se ai nuk do t'i falë shkeljet që bën, sepse në të është emri im. Nëse ia dëgjon fjalën me kujdes dhe bën gjithçka që të them, do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu. Kur engjëlli im t'ju prijë e t'ju sjellë tek amoritët, hititët, perizitët, kananitët, hivitët dhe jebusitët, unë do t'i shfaros. Mos i adhuroni perënditë e tyre, mos i nderoni dhe as mos bëni siç bëjnë ata, por shkatërrojini perënditë e tyre dhe rrënojini përmendoret e tyre. Shërbeji Zotit, Perëndisë tënd, dhe unë do të bekoj bukën e ujin tënd dhe do ta largoj prej teje sëmundjen. Asnjë grua në vendin tënd nuk do dështojë dhe asnjëra nuk do të jetë beronjë. Do të të jap jetë të gjatë. Do të dërgoj para teje tmerrin tim, që të hutoj çdo popull që do të hasësh dhe do të bëj që tërë armiqtë e tu të të kthejnë shpinën. Do të dërgoj para teje një plagë, që të dëbojë hivitët, kananitët dhe hititët. Nuk do t'i dëboj brenda vitit, që toka të mos mbetet e shkretë dhe të mos shtohen egërsirat kundër teje. Do t'i dëboj pak nga pak derisa ti të shumohesh dhe të marrësh tokën në zotërim. Do t'i vë kufijtë e tu nga deti i Kuq deri te deti i Filistinëve, nga shkretëtira deri te lumi Eufrat. Banorët e vendit do t'i lë në dorën tënde dhe ti do t'i dëbosh. Mos lidh besëlidhje me ta dhe me perënditë e tyre. Mos i lejo të banojnë në tokën tënde, se do të të bëjnë të mëkatosh kundër meje, do t'u shërbesh perëndive të tyre. Kështu do të zihesh në kurth». Pastaj Zoti i tha Moisiut: «Ngjituni lart te Zoti, ti, Aroni, Nadabi, Abihui dhe shtatëdhjetë pleq të Izraelit dhe adhuroni nga larg. Vetëm Moisiu t'i afrohet Zotit, por ata të mos afrohen. Populli të mos ngjitet lart me ta». Moisiu shkoi e i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë vendimet. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: «Do t'i zbatojmë të gjitha fjalët që tha Zoti ». Atëherë Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në të gdhirë, Moisiu ndërtoi një altar rrëzë malit dhe dymbëdhjetë përmendore, një për çdo fis të Izraelit. Pastaj dërgoi të rinjtë e Izraelit që të flijonin dema për Zotin si fli shkrumbimi e paqtimi. Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e derdhi në enë, ndërsa me gjysmën tjetër spërkati altarin. Atëherë mori librin e Besëlidhjes dhe e lexoi para popullit. Ata thanë: «Do të bëjmë e do të mbajmë gjithçka që tha Zoti ». Moisiu mori gjakun, spërkati popullin dhe pastaj u tha: «Ja, ky është gjaku i besëlidhjes që Zoti lidhi me ju sipas gjithë këtyre fjalëve». Atëherë Moisiu bashkë me Aronin, Nadabin, Abihuin dhe shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit u ngjitën në mal. Ata panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte shtruar diçka si safir, një e kaltër e kthjellët si qielli vetë. Por Perëndia nuk ngriti dorë kundër krerëve të Izraelit. Ata e panë Perëndinë dhe hëngrën e pinë. Zoti i tha Moisiut: «Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty. Do të të jap rrasat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që shkrova për t'ua mësuar atyre». Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë bashkë me Jozuehun, ndihmësin e tij. Ndërsa pleqve u tha: «Na pritni këtu derisa të kthehemi. Ja ku e keni Aronin dhe Hurin. Kush ka ndonjë mosmarrëveshje, t'u drejtohet atyre». Kështu Moisiu u ngjit në mal dhe reja mbuloi malin. Lavdia e Zotit u preh mbi malin e Sinait dhe reja mbuloi malin për gjashtë ditë. Në ditën e shtatë Zoti e thirri Moisiun prej resë. Lavdia e Zotit iu dukej izraelitëve si një zjarr përvëlues në majë të malit. Moisiu u fut në mes të resë dhe u ngjit në mal. Ai qëndroi në mal për dyzet ditë e net. Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve të më kushtojnë dhurata. Pranoni dhuratat e kujtdo që i jep me gjithë zemër. Këto do të pranosh prej tyre: ar, argjend, bronz, lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, pëlhurë liri dhe lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë të çmuar, dru akacieje, vaj për ndriçim, erëra të mira për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm, gurë oniksi dhe gurë të tjerë për të stolisur efodin dhe parzmoren. Të bëjnë një shenjtërore për nderin tim dhe unë do të banoj mes tyre. Tendën dhe tërë sendet përkatëse bëjini sipas gjedheve që po të tregoj. Të bëjnë një arkë me dru akacieje, dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. Praroje me ar të pastër si brenda dhe jashtë. Punoji një kornizë të artë përreth. Shkrij katër rrathë të artë dhe vendosi në të katërt këmbët e arkës, dy në njërin krah dhe dy në krahun tjetër. Puno shufra me dru akacieje dhe praroji. Pastaj kaloji shufrat nëpër rrathë, në krahë të arkës, për ta mbartur. Shufrat të jenë gjithmonë brenda në rrathë e mos i lëvizni që andej. Brenda në arkë do të vendosësh dëshminë që do të të jap. Puno një kapak prej ari të pastër. Kjo është pajtimorja. Bëje dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. Puno dy kerubë të artë. Ata do t'i farkëtosh në të dyja skajet e pajtimores. Njëri të jetë në njërin skaj dhe tjetri në skajin tjetër. Kerubët të jenë një me pajtimoren në të dyja skajet e saj. Krahët t'i kenë të shtrirë lart që të mbulojnë pajtimoren me to. Të jenë përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja. Kapakun e pajtimores vendose mbi arkë, ndërsa në arkë vendos dëshminë që do të të jap. Aty mbi pajtimore, mes dy kerubëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të takohem me ty dhe do të të jap tërë urdhërimet për izraelitët. Puno një tryezë me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. Praroje me ar të pastër dhe bëji përreth një kornizë të artë. Vër përreth tryezës një buzë, një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëj një kornizë të artë. Puno katër rrathë të artë dhe vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. Ato të jenë pranë buzës së tryezës, që shufrat të kalohen për të mbartur tryezën. Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. Me to do të mbartësh tryezën. Tasat, kupat, kanat dhe brokat e tryezës që përdoren për fli stërpikjeje bëji prej ari të pastër. Mbi tryezë vendos përherë bukë të kushtuara për mua. Puno një shandan me ar të pastër. Baza dhe trungu i shandanit të farkëtohen. Kupat, sythat dhe fletët të jenë një me shandanin. Nga trungu i shandanit të dalin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. Dega e parë të ketë tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë dhe kështu me radhë të gjashtë degët që dalin nga shandani. Trungu i shandanit të ketë katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. Puno një syth poshtë dy degëve të para që dalin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dalin nga shandani. Sythat dhe degët të jenë një me shandanin. I tëri të farkëtohet si një trup i vetëm prej ari të pastër. Bëji shtatë llamba dhe vëri që të ndriçojnë vendin përpara. Mashat dhe kacitë e shandanit të jenë prej ari të pastër. Për të punuar shandanin dhe tërë këto enë të përdoren tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër. Bëj kujdes t'i punosh sipas gjedhes që po të tregohet në mal». «Tendën bëje me dhjetë pëlhura liri të tjerra hollë. Ato të punohen me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe të qëndisen mjeshtërisht me kerubë. Çdo pëlhurë të jetë njëzet e tetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të gjitha pëlhurat të kenë të njëjtat përmasa. Pesë nga pëlhurat të qepen me njëra-tjetrën si një copë e vetme, po kështu edhe pesë të tjerat. Bëj vjegëza me ngjyrë vjollcë në anën e fundit të njërës copë dhe po kështu në anën e copës tjetër. Bëj pesëdhjetë vjegëza në njërën copë dhe pesëdhjetë në anën e copës tjetër. Vjegëzat e të dyja copave të përkojnë me njëra-tjetrën. Puno pesëdhjetë grremça të artë që me to të mbërthesh copat me njëra-tjetrën. Kështu tenda do të jetë njëcopëshe. Bëj njëmbëdhjetë pëlhura me lesh dhie për t'i vënë mbi tendë. Çdo pëlhurë të jetë tridhjetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të njëmbëdhjetë pëlhurat të kenë të njëjtat përmasa. Pesë nga pëlhurat të qepen si një copë e vetme e po kështu edhe gjashtë të tjerat. Pëlhura e gjashtë të paloset më dysh e të vendoset në ballë të tendës. Bëj pesëdhjetë vjegëza në fund të njërës copë dhe pesëdhjetë vjegëza në fund të copës tjetër. Puno pesëdhjetë grremça bronzi dhe shkoi nëpër vjegëza, që të mbërthejnë tendën e ajo do të jetë njëcopëshe. Pjesa e pëlhurës së tendës që tepron e që është sa gjysma e një pëlhure, të varet mbrapa tendës. Pjesët e pëlhurës, që teprojnë nga një kut në të dyja anët e tendës, të varen në të dyja anët e tendës që ta mbulojnë. Bëj për tendën një mbulesë me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe dhe mbi të vër një mbulesë tjetër me lëkurë të çmuar. Dërrasat e tendës bëji me dru akacieje dhe nguli drejt. Çdo dërrasë të jetë dhjetë kute e gjatë dhe një kut e gjysmë e gjerë. Dërrasat të kenë nga dy kunja që të mbërthehen me njëra-tjetrën. Kështu punoji tërë dërrasat e tendës. Njëzetë bëji për krahun jugor. Puno dyzet baza argjendi që të vihen poshtë këtyre njëzet dërrasave. Dy baza për çdo dërrasë, një bazë për çdo kunj. Edhe krahu tjetër i tendës, ai i veriut, të ketë njëzetë dërrasa dhe dyzet baza argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. Ndërsa krahu i pasmë, ai i perëndimit, të ketë gjashtë dërrasa. Bëj edhe dy dërrasa për këndet e krahut të pasmë të tendës. Poshtë të jenë të ndara, por sipër të bashkuara me një rreth. Kështu vepro me dërrasat e të dyja këndeve. Gjithsej të jenë tetë dërrasa dhe gjashtëmbëdhjetë baza prej argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. Bëj traversa me dru akacieje: pesë traversa për dërrasat e njërit krah të tendës, pesë traversa për dërrasat a krahut tjetër dhe pesë traversa për dërrasat e krahut të pasmë, atë të perëndimit. Traversa e mesit, ajo që është në mes të dërrasave, të jetë e gjatë nga cepi në cep. Praroji dërrasat e traversat dhe bëj rrathë të artë që të mbajnë traversat. Ngrije tendën sipas porosive që t'u treguan në mal. Bëj një vel prej liri të tjerrë hollë. Të punohet me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe të qëndiset mjeshtërisht me kerubë. Vendose mbi katër shtylla të punuara me dru akacieje. Shtyllat të jenë të praruara, të kenë grremça të artë dhe të jenë vendosur mbi katër baza të argjendta. Vare velin në grremça dhe vendos pas tij arkën e dëshmisë, që veli të ndajë shenjtëroren nga shenjtërorja e shenjtëroreve. Pajtimoren mbi arkën e dëshmisë vendose në shenjtëroren e shenjtëroreve. Tryezën vëre para velit, në krahun verior të tendës, ndërsa shandanin vëre përballë tryezës, në krahun jugor. Në hyrje të tendës bëj një perde prej liri të tjerrë hollë. Ajo të qëndiset me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. Për perden puno pesë shtylla me dru akacieje. Praroji shtyllat, bëj grremça të artë dhe shkrij pesë baza bronzi për to». «Puno një altar me dru akacieje. Altari të jetë katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë. Në të katër këndet e altarit puno nga një bri. Ata të jenë një me altarin dhe të veshur me bronz. Rrethjet për të mbledhur hirin, terplotet, legenët, pirunët, kacitë dhe tërë enët e altarit bëji prej bronzi. Bëj një skarë prej bronzi. Bëj mbi të katër rrathë bronzi, një për çdo kënd. Vendose poshtë, nën buzën e altarit, që të jetë në mes. Bëj për altarin shufra me dru akacieje dhe vishi me bronz. Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër rrathë në të dyja anët e altarit. Altarin bëje me dërrasa e lëre të zbrazët brenda. Bëje ashtu siç t'u tregua në mal. Bëj një oborr për tendën. Krahu jugor i oborrit të rrethohet me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë. Ai krah të ketë njëzet shtylla dhe baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta. Po kaq i gjatë të jetë edhe krahu verior. Edhe ai të rrethohet me njëqind kute pëlhurë dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta. Krahu perëndimor i oborrit të rrethohet me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza. Edhe krahu lindor të jetë pesëdhjetë kute i gjatë. Ky krah të ketë pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes. Në hyrje të oborrit të bëhet një perde njëzet kute e gjatë. Ajo të punohet prej liri të tjerrë hollë dhe të qëndiset me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Për të, të bëhen katër shtylla e baza. Tërë shtyllat përreth oborrit të mbërthehen me shtiza të argjendta. Grremçat t'i kenë prej argjendi, ndërsa bazat prej bronzi. Oborri të jetë njëqind kute i gjatë, pesëdhjetë kute i gjerë dhe pesë kute i lartë. Të rrethohet prej liri të tjerrë hollë dhe të ketë shtylla prej bronzi. Tërë sendet e tjera të tendës, tërë kunjat e tendës dhe të oborrit të jenë prej bronzi. Urdhëroji izraelitët të të sjellin vaj të pastër ulliri të shtrydhur, që llamba e shandanit të jetë e ndezur përherë. Aroni e bijtë e tij do ta mbajnë ndezur para Zotit nga mbrëmja në mëngjes në tendën e takimit, para velit që ndan dëshminë. Ky do të jetë një rregull i përhershëm për tërë breznitë e Izraelit». «Thirr prej izraelitëve Aronin, vëllanë tënd, bashkë me Nadabin, Abihuin, Eleazarin dhe Itamarin, bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. Puno rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, që të jenë të hijshme e plot madhështi. Fol me tërë mjeshtrat, të cilët i kam mbushur me shpirtin e urtisë, që të bëjnë rrobat e Aronit kur të shenjtërohet si prift për mua. Këto janë rrobat që do të bëjnë: një parzmore, një efod, një petk, një tunikë të thurur, një kësulë dhe një brez. Të bëjnë rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, dhe për bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. Mjeshtrat të përdorin ar, pëlhurë liri dhe fije me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Efodin bëje me ar dhe me pëlhurë liri të tjerrë hollë, të qëndisur mjeshtërisht me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Të ketë dy supore të lidhura në të dyja anët. Rripi mbi efod të punohet nga e njëjta copë dhe ashtu si efodi, të punohet me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Merr dy gurë oniksi dhe gdhend në ta emrat e bijve të Izraelit. Gdhendi sipas moshës, gjashtë emra në njërin gur dhe gjashtë në gurin tjetër. Gdhendi mjeshtërisht emrat e bijve të Izraelit në të dy gurët dhe përshkoji me filigran të artë. Vendosi të dy gurët mbi suporet e efodit që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit. Kështu Aroni do t'i mbartë emrat e bijve të Izraelit mbi të dyja suporet si përkujtimore para Zotit. Puno filigran të artë dhe dy varëse me ar të pastër. Varëset të jenë të thurura me njëra-tjetrën dhe të mbërthehen me filigranët e artë. Qëndise parzmoren e gjykimit me mjeshtëri siç qëndise edhe efodin. Punoje me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Të jetë e palosur më dysh dhe katrore, një pëllëmbë e gjatë e një pëllëmbë e gjerë. Në të vër katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vër rubin, topaz dhe smerald. Në radhën e dytë vër granat, safir dhe diamant. Në radhën e tretë vër hiacint, kalcedon dhe ametist. Në radhën e katërt vër topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar të mbërthehen në filigran të artë. Gjithsej dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi të gdhendet mbi çdo gur. Parzmores bëji varëse të gërshetuara prej ari të pastër. Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja anët e parzmores. Në to mbërthe të dyja varëset e arta. Dy anët e tjera të varëseve mbërtheji te dy filigranët dhe lidhi me suporet e efodit me krah përpara. Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. Bëj edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe vendosi përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. Lidhi rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë, që parzmorja të jetë sipër rripit dhe të mos lëvizë prej efodit. Kështu, kur të hyjë në shenjtërore, Aroni do të mbartë në zemër emrat e bijve të Izraelit të gdhendur në parzmoren e gjykimit si një përkujtimore të përhershme para Zotit. Brenda parzmores së gjykimit vendos Urimët e Tumimët, që Aroni t'i ketë në zemër kur të dalë para Zotit. Kështu, ai do të mbartë përherë në zemër mjetet për t'u shpallur vendime bijve të Izraelit në prani të Zotit. Petkun poshtë efodit punoje të tërin me pëlhurë ngjyrë vjollcë. Në mes hapi një grykë për të futur kokën. Qepi një buzë përreth porsi jakë, që të mos griset. Puno shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur dhe vari rreth e qark fundit të petkut. Vër këmbanëza të arta ndërmjet. Vari me radhë, një këmbanëz të artë, një shegë, rreth e qark fundit të petkut. Aroni ta veshë gjatë shërbesës, që kur të hyjë në shenjtërore, para Zotit, dhe të dalë prej saj, këmbanëzat të kumbojnë dhe ai të mos vdesë. Puno një pllakëz me ar të pastër dhe në të gdhend: “I shenjti i Zotit ”. Lidhe para kësulës me një shirit ngjyrë vjollcë. Do të jetë mbi ballin e Aronit, që ai të mbartë fajin e izraelitëve kur të kushtojnë dhuratat e shenjta. Do ta ketë përherë në ballë, që ato të pranohen para Zotit. Tunikën e kësulën punoje prej liri, ndërsa brezin qëndise. Bëj tunika, breza dhe kësulëza për bijtë e Aronit që të jenë të hijshme e plot madhështi. Vishja rrobat Aronit, vëllait tënd, dhe bijve të tij. Vajosi, shuguroji dhe shenjtëroji që të më shërbejnë si priftërinj. Bëju mbathje të linjta që të mbulojnë lakuriqësinë që nga mesi deri te kofshët. Kur të shkojnë në tendën e takimit ose kur t'i afrohen altarit për të shërbyer në shenjtërore, Aroni e bijtë e tij t'i veshin që të mos bien në faj e të vdesin. Ky të jetë një rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij». «Kështu do t'i shenjtërosh që të më shërbejnë si priftërinj: merr një mëzat dhe dy desh të patëmetë. Merr bukë, kuleç e pite të lyera me vaj. Të përgatiten me miell të bardhë, por të jenë të ndorme. Vendosi në një shportë dhe paraqiti bashkë me mëzatin dhe me dy deshtë. Paraqite Aronin me bijtë e tij te hyrja e tendës së takimit dhe laji me ujë. Pastaj merri rrobat dhe vishja Aronit tunikën, petkun, efodin e parzmoren. Mbërtheje me rripin e efodit, vëri kësulën mbi kokë dhe kurorën e shenjtë vendose mbi të. Merre vajin e vajosjes dhe derdhja mbi kokë, që ta vajosësh. Afroji edhe bijtë e tij dhe vishua tunikat, lidhua brezin, si Aronit, edhe bijve të tij, e vërua kësulëzat. Priftëria do të jetë e tyrja. Ky është rregull i përhershëm. Shuguro Aronin e bijtë e tij. Pastaj sille mëzatin para tendës së takimit dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e mëzatit. There në prani të Zotit, në hyrje të tendës së takimit. Merre gjakun dhe lyej me gisht brirët e altarit. Pjesën tjetër të gjakut derdhe në rrëzë të altarit. Merre tërë dhjamin e të përbrendshmeve, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamë e shkrumboji mbi altar. Ndërsa mishin, lëkurën e rropullitë digji në zjarr jashtë fushimit. Kjo është fli për mëkatin. Pastaj merre njërin dash dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e dashit. There, merr gjakun dhe spërkat altarin rreth e qark. Prije dashin copa-copa. Laja të brendshmet e këmbët dhe vendosi mbi copat e mishit dhe mbi kokën. Shkrumboje mbi altar. Kjo është fli shkrumbimi për Zotin, fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Pastaj merr dashin tjetër dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e dashit. There, merr gjakun dhe lyej bulën e veshit të djathtë të Aronit e të bijve të tij, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë. Me pjesën tjetër të gjakut spërkat rreth e qark altarin. Pastaj merr nga gjaku në altar e nga vaji për vajosje dhe stërpik Aronin e rrobat e tij bashkë me të bijtë e rrobat e tyre. Kështu, ai dhe rrobat e tij bashkë me të bijtë dhe rrobat e tyre, do të shenjtërohen. Merre dhjamin e dashit, bishtin e dhjamosur, dhjamin e të përbrendshmeve, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamë dhe kofshën e djathtë, sepse ky është dash për shugurim. Merr një bukë të rrumbullakët, një kulaç me vaj dhe një pite nga shporta e bukëve të ndorme që është në prani të Zotit. Vendosi të tëra këto në duart e Aronit dhe të bijve të tij dhe ngriji lart si fli lartësimi para Zotit. Pastaj merri prej tyre dhe shkrumboji në altar si fli shkrumbimi që të jenë si erë e këndshme para Zotit. Kjo është fli zjarri për Zotin. Merre gjoksin e dashit që kushtohet për shugurimin e Aronit dhe ngrije lart si fli lartësimi para Zoti. Kjo pjesë të takon ty. Shenjtëroji pjesët e dashit të shugurimit që i përkasin Aronit e bijve të tij, gjoksin që kushtohet si fli lartësimi dhe kofshën që kushtohet duke u ngritur lart. Këto pjesë do t'i përkasin përherë Aronit e bijve të tij, sepse janë fli lartësimi. Pjesët do të merren prej flijimeve të paqtimit të izraelitëve si dhuratë kushtuar Zotit. Rrobat e shenjta të Aronit do t'u takojnë bijve të tij, që ata të vajosen dhe shugurohen me to. I biri që do ta zëvendësojë, ai që do të hyjë në tendën e takimit për të shërbyer në shenjtërore, do t'i veshë për shtatë ditë. Merre dashin e shugurimit dhe zieje në një vend të shenjtë. Aroni me bijtë e tij do ta hanë mishin e dashit dhe bukën e shportës te hyrja e tendës së takimit. Prej tyre do të hanë vetëm ata për të cilët është bërë flija e shlyerjes së mëkatit për vajosje dhe shugurim. Askush tjetër nuk do të hajë prej tyre, sepse ato janë të shenjta. Nëse, deri në mëngjes, tepron diçka prej mishit të shugurimit dhe prej bukës, digje në zjarr. Mos e hani, sepse është e shenjtë. Vepro me Aronin e bijtë e tij ashtu siç të urdhërova. Shuguroji për shtatë ditë. Flijo përditë nga një mëzat si fli për mëkatin, për shlyerjen e tyre. Flijo edhe një fli për të shlyer mëkatin e altarit dhe vajose që ta shenjtërosh. Për shtatë ditë kushto fli për shlyerjen e mëkatit të altarit që ta shenjtërosh. Kështu, altari do të bëhet tejet i shenjtë dhe kushdo që e prek do të shenjtërohet. Ja çfarë do të kushtosh përherë mbi altar: nga dy qengja motakë përditë. Njërin kushtoje në mëngjes e tjetrin në mbrëmje. Bashkë me qengjin e parë kushto një kilogram majë mielli përzier me një litër vaj të shtrydhur dhe një litër verë si fli stërpikjeje. Qengjin e dytë kushtoje në mbrëmje e bashkë me të kushto të njëjta fli drithi e stërpikjeje si ato të mëngjesit, që të jetë një fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Kjo do të jetë një fli shkrumbimi e përhershme, brez pas brezi, që kushtohet te hyrja e tendës së takimit, në prani të Zotit, atje ku unë do të të takoj për të folur me ty. Atje do të takoj izraelitët dhe vendi do të shenjtërohet me lavdinë time. Do ta shenjtëroj tendën e takimit dhe altarin. Aronin e bijtë e tij do t'i shenjtëroj që të më shërbejnë si priftërinj. Do të banoj mes izraelitëve dhe do të jem Perëndia i tyre. Kështu, ata do ta dinë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, që të banoj mes tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre». «Bëj një altar për të djegur temjan. Punoje me dru akacieje. Bëje katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët të jenë një me altarin. Praroji me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Punoji një kornizë të artë përreth dhe poshtë saj bëj nga dy rrathë të artë në të dyja anët. Vendosi në të dy krahët e altarit, që të futen shufrat për ta mbartur. Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. Vendose altarin para velit që ndan arkën e dëshmisë dhe pajtimoren mbi të. Atje do të të takoj. Aroni të djegë temjan erëkëndshëm mbi të. Këtë ta bëjë çdo mëngjes kur përgatit llambat e shandanit dhe çdo mbrëmje kur i ndez ato. Kështu, do të digjet përherë temjan para Zotit, brez pas brezi. Mos kushtoni çfarëdolloj temjani mbi të, as fli shkrumbimi, as fli drithi e as fli stërpikjeje. Një herë në vit, Aroni do t'i lyejë brirët e altarit me gjak, që altari të shlyhet me gjakun e flisë për mëkatin që bëhet një herë në vit për shlyerjen e mëkatit. Kjo të bëhet brez pas brezi. Altari është tejet i shenjtë për Zotin ». Zoti i tha Moisiut: «Kur të regjistrosh numrin e izraelitëve, secili t'i paguajë Zotit shpagim për jetën e vet. Kështu nuk do të dënoheni me plagë kur të bëhet numërimi. Ata që regjistrohen do të japin gjysmë sikle argjendi, gjashtë gramë sipas peshës së shenjtërores. Kjo do t'i kushtohet Zotit si dhuratë. Të gjithë të regjistruarit nga njëzet vjeç e lart do t'i kushtojnë Zotit këtë dhuratë. I pasuri të mos japë më shumë e as i varfri më pak se gjysmë sikle. Ato kushtojani si dhuratë Zotit për të shlyer jetën tuaj. Merre shumën e shlyerjes nga izraelitët dhe vëre në shërbim të tendës së takimit. Kjo do t'iu shërbejë si përkujtimore para Zotit dhe si shlyerje për jetën e tyre». Zoti i tha Moisiut: «Bëj një legen bronzi me bazë bronzi që të përdoret për të larë. Vendose mes tendës së takimit e altarit dhe mbushe me ujë. Aroni me bijtë e tij ta përdorin për të larë duart e këmbët. Ata të lahen me ujë, që të mos vdesin kur të hyjnë në tendën e takimit ose kur t'i afrohen altarit për të shkrumbuar fli zjarri për Zotin. T'i lajnë duart e këmbët që të mos vdesin. Ky është rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij, brez pas brezi». Zoti i tha Moisiut: «Nga erëzat më të mira merr: pesëqind sikla mirrë, dyqind e pesëdhjetë sikla kanellë erëkëndshme, dyqind e pesëdhjetë sikla kallam erëkëndshëm, pesëqind sikla kasi, sipas peshës së shenjtërores, dhe katër litra vaj ulliri. Përgatit me to vajin e shenjtë të vajosjes, që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri. Ky do të jetë vaji i shenjtë për vajosje. Me të vajos tendën e takimit, arkën e dëshmisë, tryezën me enët përkatëse, shandanin me pajisjet përkatëse, altarin e temjanit, altarin e flive të shkrumbimit me enët përkatëse dhe legenin bashkë me bazën. Shenjtëroji dhe ato do të jenë tejet të shenjta. Kushdo që i prek do të shenjtërohet. Vajose edhe Aronin me bijtë e tij, shenjtëroji, që të më shërbejnë si priftërinj. Ndërsa izraelitëve thuaju: “Ky është vaji im i shenjtë që përdoret për vajosje brez pas brezi. Prandaj mos e përdorni për të vajosur këdo dhe as mos përgatitni vaj me të njëjtën përmbajtje. Ai është vaj i shenjtë dhe ju, duhet ta mbani si të tillë. Kush përgatit një vaj të tillë apo e përdor për të vajosur dikë që nuk është prift do të zhbihet prej popullit”». Zoti i tha Moisiut: «Merr këto erëra të mira: storaks, guaska aromatike e galban. Merr të njëjtën sasi për secilën dhe përzieje me kem të pastër. Përgatit me to temjanin që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri, i kripur, i pastër dhe i shenjtë. Thërrmoje një pjesë dhe bëje pluhur që ta vendosësh para dëshmisë, në tendën e takimit ku unë do të të takoj. Temjani të jetë tejet i shenjtë për ju. Prandaj, mos përgatitni për vete temjan të tillë, sepse është i shenjtë për Zotin. Kush përgatit një temjan të tillë për t'i mbajtur erë, të zhbihet prej popullit». Zoti i tha Moisiut: «Ja, me emër e thirra Becalelin, birin e Uriut, nipin e Hurit, prej fisit të Judës. E mbusha me shpirtin e Perëndisë, me urti, me dituri, me njohuri dhe me çdo lloj mjeshtërie, që të mbikëqyrë punimet e arit, argjendit dhe bronzit, të gdhendë drurët dhe gurët që duhen dhe të bëjë çdo gjë. Kam caktuar gjithashtu Oholiabin, birin e Ahisamakut, prej fisit të Danit, që ta ndihmojë. Të gjithë mjeshtrave u kam dhënë urtinë për të bërë gjithçka që të urdhërova: tendën e takimit, arkën e dëshmisë me pajtimoren mbi të, tërë pajisjet e tendës, tryezën me enët përkatëse, shandanin e pastër me enët përkatëse, altarin e temjanit, altarin e flive të shkrumbimit me enët përkatëse, legenin me bazën, rrobat e endura, rrobat e shenjta të priftit Aron, rrobat priftërore të bijve të tij, vajin e vajosjes dhe temjanin erëkëndshëm për shenjtëroren. Ata do t'i bëjnë ashtu siç të urdhërova». Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: “Tregoni kujdes që të mbani të shtunën time, sepse ajo është shenjë mes meje dhe jush, brez pas brezi, që ta dini se unë, Zoti, ju shenjtëroj. Mbajeni të shtunën, sepse është e shenjtë për ju. Kush e përdhos, të dënohet me vdekje. Kush punon atë ditë, të zhbihet prej popullit. Gjashtë ditë do të punohet, por dita e shtatë do të jetë e shtunë, një pushim i shenjtë për nder të Zotit. Kush bën punë të shtunën, të dënohet me vdekje. Prandaj izraelitët ta mbajnë e ta kremtojnë të shtunën brez pas brezi, si një besëlidhje të përjetshme. Ajo është shenjë e përjetshme mes meje dhe izraelitëve, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin e tokën, por ditën e shtatë pushoi dhe u çlodh”». Kur mbaroi së foluri me Moisiun në malin e Sinait, Zoti i dha dy rrasat e dëshmisë, rrasat e gurit, të shkruara nga vetë dora e Perëndisë. Kur populli pa se Moisiu po vonohej të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aronit e i tha: «Ngrihu e na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit, nuk dimë ç'u bë me të!». Aroni iu përgjigj: «Hiquani vathët e artë grave, bijve dhe bijave dhe m'i sillni mua». Atëherë tërë populli hoqi vathët e artë dhe ia solli Aronit. Ky ua mori dhe i punoi me daltë. Bëri një viç të metaltë e u tha: «Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit». Aroni e pa, i ndërtoi një altar dhe thirri: «Nesër do të kremtojmë për nder të Zotit ». Të nesërmen, u ngritën herët dhe kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi. Populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për t'u dëfryer. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Zbrit poshtë, se populli yt, që e nxore nga dheu i Egjiptit, u shthur. Shpejt e lanë udhën që i urdhërova të ndiqnin. Bënë për vete një viç të metaltë. E adhurojnë, i flijojnë fli e thonë: “Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”». Zoti vijoi: «E kam parë që ky është një popull kokëfortë. Tani më lër! Do të ndizem me zemërim e do t'i shuaj. Ty do të të bëj një komb të madh». Por Moisiu ia zbuti zemërimin Zotit, Perëndisë së tij, duke i thënë: «Përse, o Zot, ndizet zemërimi yt kundër popullit tënd që e nxore nga dheu i Egjiptit me forcë të madhe e me dorë të fuqishme? Përse të thonë egjiptianët: “I nxori me dredhi për t'i vrarë nëpër male e për t'i shuar nga faqja e dheut”? Zmbrapse zemërimin e hiq dorë nga e keqja që do t'i bësh popullit tënd. Kujto Abrahamin, Isakun e Izraelin, shërbëtorët e tu, të cilëve iu betove për veten tënde e u the: “Do t'i shumoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë për të cilën ju fola, do t'ua jap pasardhësve tuaj. Ajo do të jetë përgjithmonë e tyrja”». Atëherë Zoti hoqi dorë nga e keqja që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij. Pastaj Moisiu u kthye e zbriti nga mali dhe mbante në dorë dy rrasat e dëshmisë të shkruara nga të dyja anët. Rrasat ishin vepër e Perëndisë. Edhe shkrimi i gdhendur në rrasa ishte i tiji. Kur dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste, Jozuehu i tha Moisiut: «Britma lufte po dëgjohen në fushim». Por Moisiu i tha: «Nuk është këngë kreshnikësh, as këngë vaji nuk është. Por këngë feste po dëgjoj». Kur iu afrua fushimit dhe pa viçin e vallet, Moisiu u zemërua, i hodhi rrasat nga duart dhe i copëtoi rrëzë malit. E mori viçin që kishin bërë dhe e dogji në zjarr. E theu, e bëri pluhur dhe ua hodhi në ujë izraelitëve që ta pinin. Atëherë i tha Aronit: «Ç'faj të ka ky popull që e ngarkove me një mëkat kaq të madh?». Aroni i tha: «Mos u zemëro imzot. Ti vetë e di sa popull i keq është ky. Ata më thanë: “Na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë ç'u bë me të!”. Unë u thashë: “Kush ka ar, ta heqë”. Ata ma sollën, unë e hodha në zjarr e pastaj doli ky viç». Moisiu pa se populli ishte shfrenuar, sepse Aroni ua kishte lëshuar frerin aq sa ishin bërë gazi i botës. Pastaj Moisiu qëndroi në të hyrë të fushimit e tha: «Kush është me Zotin, të vijë tek unë!». Atëherë tërë levitët u mblodhën pranë Moisiut. Ai u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Secili të rrokë shpatën e vet. Përshkojeni fushimin derë më derë e secili të vrasë vëllanë, mikun dhe fqinjin e vet”». Levitët bënë siç u tha Moisiu. Atë ditë u vranë tre mijë burra. Pastaj Moisiu u tha: «Sot u shuguruat në shërbim të Zotit, u bekuat, sepse secili doli kundër birit e vëllait të vet». Të nesërmen Moisiu i tha popullit: «Keni mëkatuar rëndë. Do të shkoj para Zotit e ndoshta do ta shlyej mëkatin tuaj». Kështu, Moisiu u kthye te Zoti e tha: «Të lutem, ky popull ka mëkatuar rëndë, se ka bërë për vete perëndi të arta. Falua mëkatin. Nëse nuk ua fal, atëherë më fshij nga libri yt që ke shkruar». Zoti i tha Moisiut: «Do të fshij nga libri im këdo që mëkatoi kundër meje. Tani, shko, çoje popullin atje ku të thashë, dhe engjëlli im do të të paraprijë. Por do të vijë një ditë kur do ta ndëshkoj mëkatin e tyre». Kështu, Zoti e ndëshkoi popullin për viçin që kishin bërë, për viçin që Aroni kishte bërë. Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu prej këtej, ti dhe populli që nxore nga toka e Egjiptit, e shko drejt tokës që i premtova Abrahamit, Isakut e Jakobit kur u thashë se do t'ua jap pasardhësve të tyre. Do të dërgoj para teje një engjëll që të dëbojë kananitët, amoritët, hititët, perizitët, hivitët e jebusitët. Shko pra, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, por unë nuk do të nisem me ju, që të mos ju shkatërroj udhës, sepse ju jeni një popull kokëfortë». Kur dëgjoi këtë lajm të keq, populli mbajti zi dhe askush nuk i veshi stolitë. Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: “Jeni një popull kokëfortë. Sikur të ecja me ju edhe për një çast, do t'ju zhbija. Hiqini, pra, stolitë e pastaj do të vendos se çfarë do të bëj me ju”». Atëherë izraelitët i hoqën stolitë në malin Horeb e nuk i veshën më. Moisiu e merrte tendën dhe e ngulte jashtë fushimit, larg nga fushimi i izraelitëve. Atë e quajti tenda e takimit. Kushdo që kërkonte këshilla nga Zoti shkonte te tenda e takimit që ishte jashtë fushimit. Sa herë që Moisiu shkonte te tenda, i gjithë populli ngrihej e dilte te hyrja e tendës se vet për të parë Moisiun kur hynte në tendë. Me të hyrë Moisiu, shtylla e resë zbriste te hyrja e tendës ndërkohë që Zoti fliste me të. Kur shtylla e resë qëndronte te hyrja e tendës, gjithë populli ngrihej e përkulej me nderim te hyrja e tendës së vet. Zoti i fliste Moisiut ballë për ballë, ashtu siç flet dikush me mikun e vet. Pastaj Moisiu kthehej në fushim, ndërsa ndihmësi i tij, djaloshi Jozueh, biri i Nunit, nuk largohej nga tenda. Moisiu i tha Zotit: «Shiko, ti më ke thënë t'i prij këtij populli, por nuk më ke bërë të ditur se kë do të dërgosh me mua. Ti vetë më ke thënë se më njeh me emër dhe se kam gjetur hir para teje. Prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, m'i bëj të ditura udhët e tua, që të të njoh e të gëzoj gjithnjë përkrahjen tënde. Kije parasysh se ky komb është populli yt». Zoti iu përgjigj: «Prania ime do të jetë me ty dhe unë do të të jap prehje». Moisiu i tha: «Nëse prania jote nuk është me ne, mos na nis që këtej. Si do të merret vesh që unë dhe populli yt kemi gjetur hir para teje, përveçse duke u nisur me ne? Vetëm kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt e tjerë mbi faqen e dheut». Zoti i tha Moisiut: «Do ta plotësoj edhe këtë kërkesë, sepse ke gjetur hir para meje dhe të njoh me emër». Pastaj Moisiu tha: «Më dëfto lavdinë tënde». Zoti i tha: «Do ta kaloj para teje tërë mirësinë time dhe do të shpall para teje emrin e Zotit. Do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri. Por fytyrën time nuk do të mund ta shohësh, se askush nuk mund ta shohë e të mbesë gjallë». Pastaj Zoti tha: «Ja ku është një vend pranë meje. Qëndro mbi shkëmb, që kur të kalojë lavdia ime, të të fus në një zgavër shkëmbi e të të mbuloj me dorën time deri sa unë të kaloj. Pastaj do të heq dorën e ti do të më shohësh shpinën, por fytyra ime nuk mund të shihet». Zoti i tha Moisiut: «Lato dy rrasa guri si të parat, që të shkruaj në to urdhërimet që ishin në rrasat që theve. Bëhu gati në të gdhirë dhe ngjitu në malin e Sinait. Qëndro para meje në majë të malit. Askush të mos ngjitet me ty. Këmbë njeriu të mos duket në mal dhe asnjë bagëti e imët apo e trashë të mos kullotë kundruall malit». Kështu, Moisiu latoi dy rrasa guri si të parat dhe u ngjit në malin e Sinait herët në mëngjes, siç e kishte urdhëruar Zoti. Atëherë Zoti zbriti në re, qëndroi me Moisiun dhe shpalli emrin e vet. Zoti i kaloi përballë dhe shpalli: « Zoti, Zoti, Perëndi i dhimbshëm e i mëshirshëm, i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri. E ruan mirësinë për mijëra brezni, fal paudhësinë, shkeljen dhe mëkatin, por nuk lë gjë pa dënuar. Paudhësinë e etërve e ndëshkon, deri te fëmijët e nipat, deri te breznia e tretë dhe e katërt». Atëherë Moisiu u përkul përtokë me të shpejtë, e adhuroi e tha: «Zot, nëse kam gjetur hir para teje, të lutem nisu bashkë me ne. Edhe pse ky popull është kokëfortë, na i fal paudhësitë e mëkatet dhe na bëj të tutë». Zoti i tha: «Ja, unë po bëj një besëlidhje. Do të bëj para tërë popullit mrekulli që nuk janë bërë mbi mbarë tokën dhe në asnjë popull. Tërë populli mes të cilit banon do të shohë veprën e Zotit, sepse ajo që do të bëj me ty do të jetë e mrekullueshme. Mbaj çfarë po të urdhëroj sot. Ja, unë po i dëboj para teje amoritët, kananitët, hititët, perizitët, hivitët dhe jebusitët. Prandaj ruaj se bën ndonjë besëlidhje me banorët e tokës ku po hyn, sepse do të zihesh në kurth. Përkundrazi, rrënoji altarët e tyre, shkatërroji përmendoret e tyre të shenjta dhe zhbiji shtyllat e Asherave të tyre, sepse nuk ke për të adhuruar asnjë perëndi tjetër ngaqë emri i Zotit është “xheloz” dhe ai është një Perëndi xheloz. Mos lidh besëlidhje me banorët e tokës, sepse kur të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre dhe kur t'u flijojnë fli perëndive të tyre, do të të ftojnë dhe kështu do të hash edhe ti prej flive të tyre. Po ua more bijat si gra për bijtë e tu, ato do të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre dhe do të bëjnë që edhe bijtë e tu të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre. Mos bëj për vete perëndi të metaltë. Kremto festën e Bukëve të ndorme. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, ashtu siç të kam urdhëruar të bësh në kohën e caktuar të muajit të Abibit, sepse pikërisht në atë muaj dole nga Egjipti. Çdo fryt i parë i barkut më përket mua, çdo mashkull i parë i bagëtive, si i qeve, ashtu edhe i deleve. Pjellën e parë të gomarit shpaguaje me dele. Nëse nuk e shpaguan, thyeja qafën. Tërë të paralindurit e bijve të tu do t'i shpaguash. Askush të mos dalë para meje duarbosh. Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do të pushosh. Do të pushosh edhe gjatë të mbjellave e të korrave. Kremto festën e Javëve me prodhimet e para të korrjes së grurit dhe festën e të Vjelave në fund të çdo viti. Çdo mashkull të paraqitet tri herë në vit para Zotit Perëndi, Perëndisë së Izraelit. Kur t'i zboj kombet para teje dhe t'i zgjeroj kufijtë e tu, askush nuk do ta sulmojë tokën gjatë kohës që paraqitesh tri herë në vit para Zotit, Perëndisë tënd. Mos e kushto gjakun e flisë sime bashkë me të mbrujturat. Mos e ruaj flinë e të kremtes së Pashkës për të nesërmen. Prodhimet e para të tokës, më të mirat, do t'i sjellësh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd. Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës». Zoti i tha Moisiut: «Shkruaji këto fjalë, sepse mbi këto fjalë e kam lidhur besëlidhjen me ty dhe me Izraelin». Moisiu qëndroi me Zotin për dyzet ditë e net, pa ngrënë bukë e pa pirë ujë. Ai i shkroi fjalët e besëlidhjes në rrasa. Janë dhjetë urdhërimet. Pastaj Moisiu zbriti nga mali i Sinait duke mbajtur ne dorë dy rrasat e dëshmisë. Por ai nuk e dinte që i ndrinte fytyra ngaqë kishte folur me Zotin. Kur Aroni dhe izraelitët panë sesi i ndrinte fytyra Moisiut, patën frikë t'i afroheshin. Por Moisiu i thirri. Atëherë Aroni me tërë krerët e bashkësisë u kthyen dhe ai foli me ta. Pas kësaj u afruan tërë izraelitët dhe Moisiu u urdhëroi gjithçka që Zoti i kishte thënë në malin e Sinait. Si mbaroi së foluri me ta, Moisiu mbuloi fytyrën me vel. Kështu, sa herë që shkonte para Zotit për të folur, Moisiu e hiqte velin derisa largohej. Pastaj, kur dilte dhe u tregonte izraelitëve urdhërimet e Zotit, izraelitët e shikonin sesi i ndrinte fytyra. Atëherë Moisiu e vinte sërish velin dhe e mbante derisa shkonte për të folur përsëri me Zotin. Moisiu e mblodhi tërë bashkësinë e Izraelit e i tha: «Këto janë gjërat që Zoti ka urdhëruar të bëhen: “Gjashtë ditë do të punohet, por dita e shtatë do të jetë e shenjtë, ditë pushimi për nder të Zotit. Kush bën punë në këtë ditë, të dënohet me vdekje. Ditën e shtunë nuk do të ndezësh as zjarr në vatër”». Pastaj Moisiu i tha tërë bashkësisë së Izraelit: «Ja çfarë urdhëron Zoti: “Kushtojini Zotit dhurata. Kushdo që jep me gjithë zemër, t'i sjellë Zotit ar, argjend, bronz, lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, pëlhurë liri e lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë të çmuar, dru akacieje, vaj për ndriçim, erëra të mira për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm, gurë oniksi dhe gurë të tjerë për të stolisur efodin dhe parzmoren. Tërë mjeshtrat mes jush të vijnë e të bëjnë gjithçka që urdhëroi Zoti: tendën bashkë me mbulesat, grremçat, dërrasat, traversat, shtyllat e bazat; arkën bashkë me shufrat, pajtimoren e velin ndarës; tryezën bashkë me shufrat, tërë enët përkatëse e bukën e paraqitjes; shandanin që ndriçon bashkë me tërë enët përkatëse, llambat e vajin; altarin e temjanit bashkë me shtyllat, vajin për vajosje e temjanin erëkëndshëm; perden e hyrjes së tendës; altarin e flive të shkrumbimit bashkë me skarën prej bronzi, shufrat e enët përkatëse; legenin bashkë me bazën; pëlhurat e oborrit bashkë me shtyllat, bazat e perden e hyrjes; kunjat e tendës e të oborrit bashkë me litarët; dhe rrobat e endura që përdoren për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron e rrobat e bijve të tij që shërbejnë si priftërinj”». Pastaj tërë bashkësia e Izraelit u largua nga Moisiu. Atëherë të gjithë ata që ishin të gatshëm e dorëdhënë sollën dhurata për Zotin, që të përdoreshin për tendën e takimit gjatë shërbesës dhe për rrobat e shenjta. Burra e gra erdhën e kushtuan me gjithë zemër kapëse, vathë, unaza, varëse dhe çdo send të artë si fli lartësimi për Zotin. Kush kishte lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, pëlhurë liri dhe lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyrosur me të kuqe dhe lëkurë të çmuar, i solli. Kush mund të kushtonte dhurata argjendi e bronzi i dhuroi për Zotin. Kush kishte dru akacieje që hynte në punë, e solli. Çdo grua e aftë tori lesh dhe solli pëlhurë liri e fill me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Të gjitha ato që ishin të gatshme të përdornin aftësitë e tyre, torën lesh dhie. Krerët sollën gurë oniksi, gurët që stolisin efodin dhe parzmoren, erërat e mira dhe vajin që përdoret për llambat, për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm. Kështu, tërë burrat e gratë e Izraelit që u treguan të gatshëm të jepnin për punën që Zoti kishte urdhëruar të bëhej përmes Moisiut, i kushtuan vullnetarisht për Zotin. Moisiu u tha izraelitëve: «Shikoni! Zoti e ka thirrur me emër Becalelin, birin e Urit, të nipin e Hurit, prej fisit të Judës. E ka mbushur me shpirtin e Perëndisë, me urti, me dituri, me njohuri dhe me çdo lloj mjeshtërie, që të mbikëqyrë punimet e arit, argjendit e bronzit, të gdhendë drurët e gurët që duhen dhe të bëjë çdo gjë. Becalelit e Oholiabit, birit të Ahisamakut, prej fisit të Danit, Zoti u dha aftësinë për të mësuar të tjerët. Ai u dha aftësi për të punuar çdo gjë që gdhendet, që kërkon mjeshtëri, që qëndiset e që endet me li të hollë e me lesh ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur. Ata janë të aftë të bëjnë çdo punë e mjeshtëri». «Kështu, Becaleli, Oholiabi dhe tërë ata të cilëve Zoti u dha urti e dituri për të kryer çdo punë në ndërtimin e shenjtërores, do të bëjnë gjithçka që ka urdhëruar Zoti ». Atëherë Moisiu thirri Becalelin, Oholiabin dhe çdo njeri të cilit Zoti i kishte dhënë urti dhe që ishte treguar i gatshëm të punonte. Ata i morën nga Moisiu tërë dhuratat që izraelitët kishin sjellë për të ndërtuar shenjtëroren. Por populli vazhdoi të kushtonte vullnetarisht mëngjes për mëngjes. Prandaj, secili nga mjeshtrat që po ndërtonte shenjtëroren, u kthye nga puna dhe i tha Moisiut: «Populli po sjell më shumë se ç'duhet për punën që Zoti urdhëroi të bëhet». Atëherë Moisiu dha urdhër dhe lajmi u përhap në fushim që asnjë burrë apo grua, të mos dhurojë më për ndërtimin e shenjtërores. Kështu, populli ndaloi së dhuruari, sepse ato që kishin sjellë ishin më se të mjaftueshme për tërë punën. Atëherë tërë punëtorët mjeshtra e bënë tendën me dhjetë pëlhura liri të tjerra hollë. Ajo u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur e u qëndis mjeshtërisht me kerubë. Çdo pëlhurë ishte njëzet e tetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të gjitha pëlhurat kishin të njëjtat përmasa. Pesë nga pëlhurat u qepën me njëra-tjetrën si një copë e vetme, po kështu u bë edhe me pesë të tjerat. Pastaj punuan vjegëza me ngjyrë vjollcë në anën e fundit të njërës copë dhe po kështu u bënë në anën e copës tjetër. Pesëdhjetë vjegëza u bënë në njërën copë dhe pesëdhjetë në anën e copës tjetër. Vjegëzat e të dyja copave përkonin me njëra-tjetrën. Punuan edhe pesëdhjetë grremça të artë, që të mbërthenin me to copat me njëra-tjetrën. Kështu, tenda u bë njëcopëshe. Pastaj bënë një mbulesë me njëmbëdhjetë pëlhura me lesh dhie për ta vënë mbi tendë. Çdo pëlhurë ishte tridhjetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të njëmbëdhjetë pëlhurat kishin të njëjtat përmasa. Pesë nga pëlhurat u qepën si një copë e vetme dhe po kështu u bë me gjashtë të tjerat. Pesëdhjetë vjegëza u bënë në fundin e njërës copë dhe po pesëdhjetë u bënë në fundin e copës tjetër. Punuan edhe pesëdhjetë grremça bronzi për të mbërthyer tendën që ajo të ishte njëcopëshe. E mbuluan tendën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe dhe mbi të vunë një mbulesë tjetër me lëkurë të çmuar. Pastaj bënë dërrasat e tendës me dru akacieje dhe i ngulën drejt. Çdo dërrasë ishte dhjetë kute e gjatë dhe një kut e gjysmë e gjerë. Dërrasat kishin nga dy kunja që të mbërtheheshin me njëra-tjetrën. Kështu u punuan tërë dërrasat e tendës. Njëzet u vunë në krahun jugor. Dyzet baza argjendi u punuan që të viheshin poshtë këtyre njëzet dërrasave. Dy baza për çdo dërrasë, një bazë për çdo kunj. Edhe në krahun tjetër të tendës, atë të veriut, u vunë njëzet dërrasa dhe dyzet baza argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. Ndërsa në krahun e pasmë, atë të perëndimit, vunë gjashtë dërrasa. Pastaj bënë dy dërrasa për këndet e krahut të pasmë të tendës. Ato ishin të ndara poshtë, por të bashkuara sipër me një rreth. Kështu u bë me dërrasat e të dyja këndeve. Gjithsej ishin tetë dërrasa dhe gjashtëmbëdhjetë baza prej argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. Pastaj bënë traversa me dru akacieje: pesë traversa për dërrasat e njërit krah të tendës, pesë traversa për dërrasat a krahut tjetër dhe pesë traversa për dërrasat e krahut të pasmë, atë të perëndimit. Traversa e mesit, ajo që është në mes të dërrasave, ishte e gjatë nga cepi në cep. Dërrasat e traversat u praruan dhe u bënë rrathë të artë për të mbajtur traversat. Pastaj bënë një vel prej liri të tjerrë hollë. Veli u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe u qëndis mjeshtërisht me kerubë. Për velin bënë katër shtylla me dru akacieje. Shtyllat u praruan dhe vunë grremça të artë. Pastaj shkrinë katër baza të argjendta për to. Në hyrje të tendës bënë një perde prej liri të tjerrë hollë. Ajo u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. Për perden bënë pesë shtylla me grremça. Kokat e shtyllave e shtizat i praruan, ndërsa bazat i bënë bronzi. Becaleli e bëri arkën me dru akacieje. Ajo ishte dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. E praroi me ar të pastër si brenda, edhe jashtë dhe i punoi një kornizë të artë përreth. Shkriu katër rrathë të artë për të katër këmbët, dy në njërin krah e dy në krahun tjetër. Pastaj punoi shufra me dru akacieje e i praroi. Shufrat i kaloi nëpër rrathë, në krahë të arkës për ta mbartur. Bëri edhe një kapak me ar të pastër. Kjo është pajtimorja. E bëri dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. Punoi dy kerubë të artë dhe i farkëtoi në të dyja anët e pajtimores. Njëri ishte në njërin skaj e tjetri në skajin tjetër. Kerubët ishin një me pajtimoren, në të dyja skajet e saj. Krahët i kishin të shtrirë lart e me to mbulonin pajtimoren. Ishin përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja. Pastaj bëri tryezën me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. E praroi me ar të pastër dhe i bëri një kornizë të artë përreth. Vuri përreth tryezës një buzë një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëri një kornizë të artë. Pastaj shkriu katër rrathë të artë dhe i vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. Ato ishin pranë buzës së tryezës që shufrat të kalonin për të mbartur tryezën. Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi që, me to, të mbartet tryeza. Enët e tryezës, tasat, kupat, brokat e kanat që përdoren për fli stërpikjeje i bëri prej ari të pastër. Pastaj bëri shandanin me ar të pastër. Bazën dhe trungun e shandanit e farkëtoi. Kupat, sythat dhe fletët ishin një me shandanin. Nga trungu i shandanit dilnin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. Dega e parë kishte tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë e kështu me radhë të gjashtë degët që dilnin nga shandani. Trungu i shandanit kishte katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. Pastaj punoi një syth poshtë dy degëve të para që dilnin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dilnin nga shandani. Sythat dhe degët ishin një me shandanin. I tëri u farkëtua si një trup i vetëm prej ari të pastër. Shtatë llambat, mashat dhe kacitë i bëri me ar të pastër. Për të punuar shandanin dhe tërë enët e tij u përdorën tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër. Pastaj bëri altarin për të djegur temjan. E punoi me dru akacieje dhe e bëri katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët ishin një me altarin. Praroi me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Pastaj punoi një kornizë të artë përreth dhe poshtë saj bëri nga dy rrathë të artë në të dyja anët. I vendosi në të dy krahët e altarit që shufrat të shkohen për ta mbartur. Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi. Pastaj përgatiti vajin e shenjtë të vajosjes dhe temjanin e pastër erëkëndshëm, një parfum i përzier me mjeshtëri. Pastaj bëri altarin e flive të shkrumbimit me dru akacieje. Altari ishte katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë. Në të katër këndet e altarit punoi nga një bri. Ata ishin një me altarin dhe të veshur me bronz. Tërë enët e altarit, rrethjet, terplotet, legenët, pirunët e kacitë i bëri prej bronzi. Bëri dhe një skarë prej bronzi dhe e vendosi poshtë, nën buzën e altarit, që të ishte në mes. Derdhi katër rrathë bronzi, një në çdo kënd të skarës për të shkuar shufrat. Shufrat i bëri me dru akacieje dhe i veshi me bronz. Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër radhë në krahë të altarit. Altarin e bëri me dërrasa dhe e la të zbrazët brenda. Pastaj bëri legenin dhe bazën e bronzit me pasqyrat e shërbëtoreve që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit. Pastaj bëri oborrin. Krahu jugor i oborrit u rrethua me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. Edhe krahu verior u bë njëqind kute i gjatë dhe u rrethua me njëzet shtylla e baza bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. Krahu i perëndimit u rrethua me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. Edhe krahu lindor u bë pesëdhjetë kute i gjatë. Ky krah kishte pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes. Tërë pëlhurat që rrethonin oborrin ishin prej liri të tjerrë hollë. Bazat e shtyllave ishin prej bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. Kokat e shtyllave ishin të lyera me argjend dhe tërë shtyllat e oborrit u mbërthyen me shtiza të argjendta. Perdja e hyrjes së oborrit u bë njëzet kute e gjatë. Ajo u punua prej liri të tjerrë hollë dhe u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Kishte katër shtylla dhe baza bronzi. Grremçat ishin prej argjendi dhe kokat e shtyllave bashkë me shtizat ishin të lyera me argjend. Tërë kunjat e tendës dhe të oborrit përreth ishin prej bronzi. Ky është regjistri i tendës së dëshmisë që u bë nga levitët me urdhër të Moisiut. Ai u bë nën kujdesin e Itamarit, birit të priftit Aron. Becaleli, biri i Uriut, prej fisit të Judës, bëri gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut. Atë e ndihmoi Oholiabi, biri i Ahisamakut, prej fisit të Danit. Ai ishte mjeshtër i gdhendjes dhe i qëndisjes së pëlhurës së lirit të hollë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. Një mijë kilogramë ar, sipas peshës së shenjtërores, u kushtua si fli lartësimi dhe u përdor për tërë punët e shenjtërores. Tre mijë e katërqind e tridhjetë kilogramë argjend, sipas peshës së shenjtërores, u mblodhën nga regjistrimi i bashkësisë. Pagesa për kokë ishte gjysmë sikle, sipas peshës së shenjtërores, për këdo që ishte njëzet vjeç e lart. Gjithsej ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë veta. Tre mijë e katërqind kilogramë argjend u përdorën për të derdhur njëqind bazat e shenjtërores dhe të velit, tridhjetë e katër kilogramë për çdo bazë. Tridhjetë kilogramë argjend u përdorën për të bërë grremçat e shtyllave, për të lyer kokat e shtyllave dhe shtizat. Dy mijë e katërqind e njëzet e pesë kilogramë bronz u kushtuan si fli lartësimi. Me to u bënë bazat e hyrjes së tendës së takimit, altari i bronzit, skara që ishte në të, tërë enët e altarit, bazat e oborrit përreth, bazat e hyrjes së oborrit, tërë kunjat e tendës dhe tërë kunjat e oborrit përreth. Rrobat për të shërbyer në shenjtërore u endën me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Rrobat e shenjta të Aronit u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Efodi u bë me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Pllakat e arit i farkëtuan hollë dhe i prenë në shirita që t'i thurnin me mjeshtëri me pëlhurën e lirit dhe me fijet ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Pastaj bënë dy suporet dhe i lidhën në të dyja anët e efodit. Rripi mbi efod u punua nga e njëjta copë dhe me të njëjtat materiale si efodi. Ai u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Pastaj punuan gurët e oniksit. I përshkuan me filigran të artë dhe i gdhendën me emrat e bijve të Izraelit. I vendosën mbi suporet e efodit, siç Zoti e urdhëroi Moisiun, që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit. Pastaj qëndisi parzmoren me mjeshtëri siç qëndisi dhe efodin. Ajo u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Parzmoren e palosën më dysh dhe e bënë katrore, një pëllëmbë të gjatë e një pëllëmbë të gjerë. Në të vunë katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vunë rubin, topaz dhe smerald. Në radhën e dytë vunë granat, safir dhe diamant. Në radhën e tretë vunë hiacint, kalcedon dhe ametist. Në radhën e katërt vunë topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar u përshkuan me filigran të artë. Gjithsej ishin dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi u gdhend mbi çdo gurë. Parzmores i bënë varëse të gërshetuara prej ari të pastër. Pastaj bënë dy filigranë e dy rrathë të artë. Rrathët i vunë në të dyja anët e parzmores dhe në to mbërthyen të dyja varëset e arta. Dy anët e tjera të varëseve i mbërthyen te dy filigranët dhe i lidhën me suporet e efodit me krah përpara. Bënë dy rrathë të artë dhe i vendosën në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. Bënë edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe i vendosën përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. Pastaj i lidhën rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë që parzmorja të ishte sipër rripit dhe të mos lëvizte prej efodit. Ato u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Petku poshtë efodit u end i tëri me pëlhurë ngjyrë vjollcë. Në mes të saj u hap një grykë porsi jakë. Ajo u qep përreth me një buzë që të mos grisej. Në fund të petkut punuan shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur e të dredhur. Pastaj bënë këmbanëza me ar të pastër dhe i varën rreth e qark fundit të petkut, ndërmjet shegëve. Ato u varën me radhë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun, një këmbanëz e një shegë rreth e qark fundit të petkut që përdorej për shërbesë. Pastaj punuan për Aronin e bijtë e tij tunikat prej liri, kësulën dhe kësulëzat prej liri, mbathjet e linjta të tjerrë hollë dhe brezin prej liri të tjerrë hollë që u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Ato u bënë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Pastaj bënë pllakëzën e kurorës së shenjtë me ar të pastër dhe në të gdhendën: «I shenjti i Zotit ». E lidhën mbi kësulë me një shirit ngjyrë vjollcë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Kështu, u përfunduan tërë punët e tendës, tendës së takimit. Izraelitët bënë gjithçka ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Atëherë ia paraqitën tendën Moisiut: tendën me tërë pajisjet përkatëse, grremçat, dërrasat, traversat, shtyllat, bazat; mbulesën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, mbulesën me lëkurë të çmuar e velin që ndan; arkën e dëshmisë bashkë me shufrat e pajtimoren; tryezën bashkë me tërë enët përkatëse e bukën e paraqitjes; shandanin prej ari të pastër bashkë me llambat e renditura, enët përkatëse e vajin për ndriçim; altarin prej ari bashkë me vajin për vajosje e temjanin erëkëndshëm; perden e hyrjes së tendës; altarin prej bronzi bashkë me skarën prej bronzi, shufrat e enët përkatëse; legenin bashkë me bazën; pëlhurat e oborrit bashkë me shtyllat, bazat, perden e hyrjes, litarët, kunjat e tërë pajisjet për ndërtimin e tendës, tendës së takimit; dhe rrobat e endura që përdoren për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron e rrobat e bijve të tij që shërbejnë si priftërinj. Izraelitët i bënë tërë punimet ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Moisiu i kontrolloi tërë punimet dhe, ja, pa që ishin bërë ashtu siç kishte urdhëruar Zoti dhe Moisiu i bekoi. Zoti i tha Moisiut: «Ngrije tendën, tendën e takimit, në ditën e parë të muajit të parë. Vendose arkën e dëshmisë pas velit. Sille tryezën e shtroje siç duhet. Sille shandanin e vendosi llambat. Vendose altarin e artë që përdoret për të djegur temjan, përpara arkës së dëshmisë e vare perden në hyrje të tendës. Vendose altarin e flive të shkrumbimit përpara hyrjes së tendës, tendës së takimit. Legenin vendose ndërmjet tendës së takimit e altarit dhe mbushe me ujë. Rrethoje oborrin e vare perden në hyrje të tij. Merre vajin e vajosjes dhe vajos tendën me tërë orenditë. Shenjtëroje bashkë me tërë enët përkatëse që tenda të jetë e shenjtë. Vajose altarin e flive të shkrumbimit bashkë me tërë enët përkatëse. Shenjtëroje që altari të jetë tejet i shenjtë. Vajose legenin bashkë me bazën dhe shenjtëroje. Pastaj afroje Aronin me bijtë e tij te hyrja e tendës së takimit dhe laji me ujë. Vishja Aronit rrobat e shenjta. Vajose dhe shenjtëroje që të më shërbejë si prift. Afroji edhe bijtë e tij dhe vishua tunikat. Vajosi edhe ata, sikurse vajose atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj. Me këtë vajosje ata do të jenë priftërinj të përhershëm, brez pas brezi». Moisiu bëri gjithçka ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. Kështu, në ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, tenda u ngrit. Moisiu e ngriti tendën. I vuri bazat, dërrasat, shtizat dhe shtyllat. Mbi tendë shtriu mbulesën siç e kishte urdhëruar Zoti. Pastaj mori dëshminë dhe e vuri në arkë. Ia vendosi shufrat arkës dhe mbi të vuri pajtimoren. Arkën e solli në tendë dhe, pasi vari velin, arka e dëshmisë u nda siç e kishte urdhëruar Zoti. Pastaj solli tryezën në tendën e takimit dhe e vuri në anën tjetër të velit, në krahun verior të tendës. Mbi të shtroi bukët kushtuar Zotit, siç e kishte urdhëruar Zoti. Solli edhe shandanin në tendën e takimit dhe e vuri përballë tryezës, në krahun jugor të tendës. Ia vendosi edhe llambat siç e kishte urdhëruar Zoti. Pastaj solli altarin në tendën e takimit dhe e vuri përballë velit. Në të dogji temjan erëkëndshëm siç e kishte urdhëruar Zoti. Pastaj vari perden në të hyrë të tendës. Altarin e flive të shkrumbimit e vuri në të hyrë të tendës, tendës së takimit. Në të kushtoi fli shkrumbimi dhe fli drithi siç e kishte urdhëruar Zoti. Legenin e vendosi ndërmjet tendës së takimit dhe altarit dhe e mbushi me ujë për larjen. Moisiu, Aroni e bijtë e tij e përdornin për të larë duart dhe këmbët sa herë që hynin në tendën e takimit ose i afroheshin altarit, siç e kishte urdhëruar Zoti. Pastaj e rrethoi oborrin përreth tendës e altarit dhe vari perden në të hyrë të tij. Kështu Moisiu i përfundoi punimet. Atëherë reja e mbuloi tendën e takimit dhe lavdia e Zotit mbushi tendën. Moisiu nuk hyri dot në tendën e takimit, sepse reja prehej mbi të dhe lavdia e Zotit kishte mbushur tendën. Gjatë gjithë shtegtimit të tyre, izraelitët niseshin për udhë sa herë që reja ngrihej nga tenda. Nëse reja nuk ngrihej, ata nuk niseshin deri kur vinte dita që ajo të ngrihej. Tërë shtëpia e Izraelit, gjatë gjithë shtegtimit të tyre, e shihte renë e Zotit mbi tendë gjatë ditës dhe zjarrin në të gjatë natës. Zoti e thirri Moisiun, i foli prej tendës së takimit e i tha: «Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: kush dëshiron t'i kushtojë bagëti si fli Zotit, le t'ia kushtojë prej bagëtive të trasha ose prej bagëtive të imëta. Nëse dëshiron t'i kushtojë fli shkrumbimi prej bagëtive të trasha, t'i kushtojë një mashkull të patëmetë. Le ta bëjë te hyrja e tendës së takimit, që Zoti ta pranojë. Ta vërë dorën mbi kokën e flisë së shkrumbimit, që flija t'i pranohet për shlyerjen e mëkatit. Ta therë mëzatin para Zotit dhe priftërinjtë, bijtë e Aronit, ta kushtojnë gjakun e të spërkatin altarin që ndodhet në hyrje të tendës të takimit. Flija e shkrumbimit të rripet e të prihet në copa. Bijtë e priftit Aron të ndezin zjarrin mbi altar e të vendosin drutë mbi zjarr. Mandej t'i vënë copat, kokën e dhjamin, me radhë, mbi drutë e zjarrit të altarit. Zorrët e këmbët të lahen me ujë. Prifti t'i shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Nëse kushton si fli shkrumbimi bagëti të imëta, dele apo dhi, të kushtojë një mashkull të patëmetë. Ta therë para Zotit në krahun verior të altarit dhe bijtë e priftit Aron ta spërkatin gjakun përreth altarit. Ta presë në copa dhe prifti t'i vendosë bashkë me kokën e me dhjamin mbi zjarrin e altarit. Zorrët e këmbët t'i lajë me ujë. Prifti të kushtojë gjithçka e ta shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Nëse i kushton Zotit shpendë si fli shkrumbimi, t'i kushtojë turtull ose zog pëllumbi. Prifti ta kushtojë tek altari, t'ia këpusë kokën e ta shkrumbojë mbi altar, ndërsa gjakun t'ia shtrydhë në anë të altarit. Mandej t'ia heqë gushën me gjithë pendë e t'i hedhë në anën lindore të altarit, në vendin ku hidhet hiri. T'ia thyejë krahët, pa ia shkëputur, e ta shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin ». «Kush dëshiron t'i kushtojë Zotit fli drithi, t'i kushtojë majë mielli. Të derdhë mbi të vaj e t'i vërë përsipër temjan. T'ua paraqesë priftërinjve, bijve të Aronit. Prifti ta mbushë grushtin me majë mielli e me vaj, të marrë tërë temjanin e ta shkrumbojë mbi altar si fli përkujtimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Çka mbetet prej flisë së drithit i takon Aronit e bijve të tij. Kjo është një pjesë shumë e shenjtë e flive të zjarrit për Zotin. Nëse kushton fli drithi të pjekur në furrë, të kushtojë kuleç me majë mielli, pa tharm, të përzier me vaj, si edhe pite pa tharm të lyera me vaj. Nëse kushton fli drithi të pjekur në saç, të jetë me majë mielli përzier me vaj e pa tharm. Ndaje në copa e hidhi vaj përsipër. Kjo është flija e drithit. Nëse kushton fli drithi të skuqur në tigan, të jetë me majë mielli përzier me vaj. Paraqitja Zotit flinë e drithit të gatuar me këto gjëra. Jepja priftit, që ta çojë në altar. Prifti të ndajë një pjesë nga flija e drithit e ta shkrumbojë mbi altar si fli përkujtimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Çka mbetet prej flisë së drithit i takon Aronit e bijve të tij. Kjo është një pjesë shumë e shenjtë e flive të zjarrit për Zotin. Asnjë nga flitë e drithit që i kushtohen Zotit të mos bëhet me tharm, sepse nuk do të shkrumboni asgjë me tharm apo me mjaltë si fli zjarri për Zotin. Këto mund t'ia kushtoni Zotit si prodhime të para, por ato nuk do të vihen mbi altar si fli erëkëndshme. Hidhi kripë çdo flije drithi dhe mos e lër flinë tënde të drithit pa kripën e besëlidhjes me Perëndinë tënd. Bashkë me të gjitha flitë e tua, kushto edhe kripën. Nëse i kushton Zotit fli drithi të prodhimeve të para, kushtoji kallinj të pjekur në zjarr dhe kokrra drithi të shtypura, si fli drithi të prodhimeve të para. Hidhi vaj dhe vendos mbi të temjan. Kjo është fli drithi. Mandej, prifti të shkrumbojë si fli përkujtimi një pjesë të kokrrave të shtypura, një pjesë të vajit dhe të gjithë temjanin. Kjo është fli zjarri për Zotin ». «Kush kushton fli paqtimi prej bagëtive të trasha, të kushtojë para Zotit një mashkull apo një femër të patëmetë. T'i vërë dorën mbi kokë flisë e ta therë para tendës së takimit. Mandej, priftërinjtë, bijtë e Aronit, ta spërkatin gjakun përreth altarit. Prej flisë së paqtimit t'i kushtojë Zotit si fli në zjarr dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat. Bijtë e Aronit t'i shkrumbojnë ato në altar mbi flinë e shkrumbimit që është vendosur mbi drutë e zjarrit. Kjo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Nëse i kushton Zotit si fli paqtimi një bagëti të imët, të kushtojë një mashkull apo një femër të patëmetë. Nëse kushton si fli një qengj, ta paraqesë para Zotit, t'i vërë dorën mbi kokë flisë e ta therë para tendës së takimit. Bijtë e Aronit ta spërkatin gjakun përreth altarit. Prej flisë së paqtimit t'i kushtojë Zotit si fli në zjarr dhjamin, gjithë bishtin, të cilin do ta presë që nga shtylla kurrizore, dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat. Mandej, prifti t'i shkrumbojë mbi altar. Kjo është fli ushqimi, e djegur për Zotin. Nëse kushton një dhi, ta paraqesë para Zotit, t'i vërë dorën mbi kokë flisë e ta therë para tendës së takimit. Bijtë e Aronit ta spërkatin gjakun përreth altarit. Prej saj t'i kushtojë Zotit si fli në zjarr dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat. Mandej, prifti t'i shkrumbojë mbi altar. Kjo është fli ushqimi, e djegur, erëkëndshme, për Zotin. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja: nuk do të hani as dhjamin e as gjakun». Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve se kush mëkaton pa dashje kundër cilitdo urdhërimi të Zotit dhe bën çka nuk duhet të bëjë, nëse ai që mëkaton është prift i vajosur dhe e sjell kështu fajin mbi popullin, t'i kushtojë Zotit për mëkatin e kryer një mëzat të patëmetë si fli për mëkatin. Ta paraqesë mëzatin para Zotit te hyrja e tendës së takimit, t'i vërë dorën mbi kokë e ta therë para Zotit. Prifti i vajosur të marrë pak gjak prej mëzatit dhe ta paraqesë në tendën e takimit, ta ngjyejë gishtin në gjak e ta spërkatë gjakun shtatë herë para Zotit në drejtim të velit të shenjtërores. Mandej, të vërë pak gjak mbi brirët e altarit të temjanit erëmirë para Zotit në tendën e takimit. Pjesën tjetër të gjakut të mëzatit ta derdhë në themelet e altarit të flive të shkrumbimit në hyrje të tendës së takimit. Ta nxjerrë tërë dhjamin prej mëzatit të kushtuar si fli mëkati, dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat, siç hiqen prej mëzatit që kushtohet si fli paqtimi. Prifti t'i shkrumbojë mbi altarin e flive të shkrumbimit. Lëkurën e mëzatit e gjithë mishin, bashkë me kokën e me këmbët, me zorrët e me rropullitë, krejt mëzatin, pra, ta nxjerrë jashtë fushimit në një vend të pastër, atje ku derdhet hiri, e ta djegë me zjarr në turrë të druve. Të digjet atje ku derdhet hiri. Nëse mbarë bashkësia e Izraelit gabon e bën pa dashje çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të Zotit, bie në faj. Kur ta kuptojnë mëkatin që kanë bërë, tërë bashkësia të kushtojë një mëzat si fli për mëkatin. Ta paraqesin mëzatin te hyrja e tendës së takimit. Pleqësia e bashkësisë të vendosë duart mbi kokën e mëzatit para Zotit dhe ta therin po para Zotit. Prifti i vajosur të paraqesë pak gjak prej mëzatit në tendën e takimit, ta ngjyejë gishtin në gjak e të spërkatë gjakun shtatë herë para Zotit në drejtim të velit. Mandej, të vërë pak gjak mbi brirët e altarit para Zotit në tendën e takimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit të flive të shkrumbimit në hyrje të tendës së takimit. Ta nxjerrë tërë dhjamin prej mëzatit dhe ta shkrumbojë mbi altar. Të veprojë me mëzatin ashtu siç veproi me mëzatin për flinë e mëkatit. Prifti të kryejë shlyerjen për ta, që ata të marrin faljen. Mëzatin ta nxjerrë jashtë fushimit dhe ta djegë siç dogji mëzatin e mëparshëm. Kjo është flija për mëkatin e bashkësisë. Nëse ndonjë nga krerët e popullit gabon e bën pa dashje çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të Zotit, Perëndisë së vet, ai bie në faj. Kur ta kuptojë mëkatin që ka bërë, të paraqesë një cjap të patëmetë. T'i vërë dorën mbi kokë cjapit, ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit dhe ta kushtojë si fli mëkati para Zotit. Mandej prifti ta ngjyejë gishtin në gjakun e flisë për mëkatin dhe të vërë pak gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit të flive të shkrumbimit. T'ia nxjerrë tërë dhjamin dhe ta shkrumbojë mbi altar, siç veproi me flinë e paqtimit. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit, që ai të marrë faljen. Nëse ndonjëri prej popullit të vendit mëkaton pa dashje e bën çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të Zotit, ai bie në faj. Kur ta kuptojë mëkatin që ka bërë, të paraqesë një dhi të patëmetë për mëkatin që ka bërë. T'i vërë dorën mbi kokë flisë për mëkatin e ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit. Mandej, prifti ta ngjyejë gishtin në gjak dhe të vërë gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit. T'ia nxjerrë tërë dhjamin, siç veproi me flinë e paqtimit, e ta shkrumbojë mbi altar si fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit, që ai të marrë faljen. Nëse paraqet qengj si fli mëkati, të paraqesë një qengj femër të patëmetë. T'i vërë dorën mbi kokë flisë për mëkatin dhe ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit. Mandej, prifti ta ngjyejë gishtin në gjakun e flisë për mëkatin dhe të vërë gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit. T'ia nxjerrë tërë dhjamin, siç veproi me cjapin e flisë së paqtimit, dhe prifti ta shkrumbojë mbi altar si fli zjarri për Zotin. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit që ka bërë dhe ai do të marrë faljen». «Kush dëgjon një përbetim dhe është dëshmitar për diçka që ka parë apo dëgjuar e nuk dëshmon, mëkaton dhe është fajtor. Po ashtu, kush prek pa dashje një gjë të papastër, si kërmën e një kafshe të papastër, kërmën e një kafshe shtëpiake të papastër apo kërmën e një zvarraniku të papastër, mëkaton dhe është fajtor. Kush prek pa dashje një papastërti njeriu, çfarëdolloj papastërtie që e ndot, sapo ta marrë vesh, është fajtor. Kush betohet pa u menduar mirë, për mirë apo për keq, sa herë që dikush betohet me buzë pa u menduar mirë dhe pa dashje, sapo ta marrë vesh, është fajtor. Kush është fajtor për një nga këto gjëra, duhet ta pranojë mëkatin. Atëherë le t'i paraqesë Zotit si fli faji për mëkatin që ka bërë një bagëti të imët femër, një qengj femër ose një dhi si fli mëkati, që prifti t'i bëjë shlyerjen e mëkatit. Kush s'e ka mundësinë të kushtojë një dele, t'i paraqesë Zotit dy turtuj ose dy zogj pëllumbi si fli faji për mëkatin që ka bërë, njërin si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi. T'ia paraqesë priftit. Ai të kushtojë në fillim flinë për mëkatin, duke ia përdredhur qafën, pa e këputur kokën. Një pjesë të gjakut ta spërkatë në anë të altarit, ndërsa pjesën tjetër ta kullojë te themelet e altarit. Kjo është flija për mëkatin. Turtullin ose pëllumbin tjetër ta kushtojë si fli shkrumbimi sipas rregullit, që prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit që ka bërë dhe ai të marrë faljen. Nëse nuk e ka mundësinë të kushtojë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, të paraqesë si fli për mëkatin që ka bërë, tre kilogramë majë mielli si fli për mëkatin, pa i hedhur vaj dhe pa i vënë temjan përsipër, sepse është fli mëkati. T'ia paraqesë miellin priftit, prifti ta mbushë grushtin si fli përkujtimi dhe ta djegë në altar, mbi flitë e zjarrit, për Zotin. Kjo është fli për mëkatin. Prifti të bëjë për të shlyerjen e mëkatit që ka bërë për secilën nga këto gjëra dhe ai do të marrë faljen. Pjesa e mbetur e flisë së drithit i takon priftit». Zoti i tha Moisiut: «Kush kryen shkelje e mëkaton, duke shpërfillur ndonjë prej gjërave të shenjta të Zotit, t'i paraqesë Zotit si fli për fajin një dash të patëmetë prej kopesë, të vlerësuar në sikla argjendi, sipas siklës së shenjtërores, për flitë për fajin. Dëmin që bëri ndaj shenjtërores ta paguajë, duke shtuar edhe një të pestën e vlerës e t'ia japë priftit. Prifti të bëjë për të shlyerjen e mëkatit, duke kushtuar dashin si fli faji, dhe ai do të marrë faljen. Kush mëkaton pa dashje kundër cilitdo urdhërimi të Zotit dhe bën çka nuk duhet bërë, është fajtor dhe duhet të përgjigjet për fajin. T'i paraqesë priftit një dash prej kopesë, sipas vlerësimit tuaj për flitë e fajit. Prifti të kryejë për të shlyerjen e shkeljes që bëri pa dashje dhe ai do të marrë faljen. Kjo është fli për fajin, sepse ai njeri ishte fajtor para Zotit ». Zoti i tha sërish Moisiut: «Kush mëkaton e bën paudhësi ndaj Zotit, duke gënjyer bashkëkombësin e vet në lidhje me një send apo me një sasi të hollash, që i ishin lënë në ruajtje, nëse e vjedh apo e mashtron bashkëkombësin e vet, nëse gjen ndonjë send të humbur dhe e mohon, apo bën betim të rremë për gjëra që njerëzit i bëjnë kur mëkatojnë, nëse ka mëkatuar kështu, ai është fajtor dhe duhet të kthejë gjënë e grabitur me vjedhje apo me mashtrim, sasinë e të hollave që i ishte lënë në ruajtje, sendin e humbur që ka gjetur, apo gjënë për të cilën bëri betim të rremë. Kujt i bëri dëmin do t'i kthejë, po atë ditë që i merret vesh faji, jo vetëm vlerën e dëmit, por do të shtojë edhe një të pestën e vlerës. Mandej t'i paraqesë Zotit si fli për fajin një dash të patëmetë prej kopesë, sipas vlerësimit tuaj për flitë e fajit. Prifti të bëjë për të shlyerjen e shkeljes para Zotit dhe ai do të marrë faljen për të gjitha shkeljet që e bënë fajtor». Zoti i tha Moisiut: «Jepi këtë urdhër Aronit e bijve të tij: ky është udhëzimi për flinë e shkrumbimit: flija e shkrumbimit të vendoset mbi vatrën e zjarrit të altarit gjatë gjithë natës, deri në mëngjes. Zjarri i altarit të mbahet ndezur. Prifti, i veshur me petkun dhe mbathjet prej liri, të mbledhë prej altarit hirin e flisë së shkrumbimit, që ka djegur zjarri, e ta derdhë pranë altarit. Mandej, t'i heqë ato rroba e të veshë të tjera dhe ta çojë hirin jashtë fushimit, në një vend të pastër. Zjarri mbi altar të mbahet ndezur dhe të mos lihet të shuhet. Çdo mëngjes, prifti ta ushqejë me dru, të vendosë mbi të flinë e shkrumbimit e të djegë mbi të dhjamin e flive të paqtimit. Zjarri mbi altar të rrijë përherë ndezur e të mos shuhet. Ky është udhëzimi për flinë e drithit: flinë e drithit e paraqesin para altarit në prani të Zotit bijtë e Aronit. Prifti të marrë një grusht majë mielli prej flisë së drithit, një pjesë të vajit, si dhe të gjithë temjanin e vendosur mbi flinë e drithit e t'i djegë mbi altar si fli erëkëndshme përkujtimi për Zotin. Pjesën e mbetur ta hanë Aroni e bijtë e tij si bukë të ndorme. Ta hanë në vend të shenjtë, në tremen e tendës së takimit. Të mos piqet me tharm, sepse është pjesa që u kam dhënë prej flive të zjarrit. Ajo është shumë e shenjtë, ashtu si flitë për mëkatin dhe flitë për fajin. Prej saj mund të hanë të gjithë pasardhësit meshkuj të Aronit. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në lidhje me flitë e zjarrit për Zotin. Kush i prek ato, bëhet i shenjtë». Zoti i tha Moisiut: «Ditën që vajosen si priftërinj, Aroni e bijtë e tij të kushtojnë para Zotit tre kilogramë majë mielli si fli drithi të përhershme, gjysmën në mëngjes e gjysmën në darkë. Të përgatitet me vaj në saç, të jetë e rrahur mirë e të paraqitet si fli drithi e thyer në copa, si fli erëkëndshme për Zotin. Kështu do të veprojë edhe kush do të vajoset si prift nga bijtë e tij për ta pasuar. Ky është rregull i përhershëm dhe e gjithë flija do të digjet për Zotin. Çdo fli drithi e kushtuar prej priftit të digjet e tëra e të mos hahet». Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit e bijve të tij: ky është udhëzimi për flinë e mëkatit: në vendin ku theret flija e shkrumbimit, atje të theret edhe flija për mëkatin para Zotit. Kjo është një gjë shumë e shenjtë. Prifti që kushton flinë për mëkatin të hajë prej saj në vend të shenjtë, në tremen e tendës së takimit. Çdo gjë që prek mishin e flisë është e shenjtë. Nëse bie ndonjë pikë prej gjakut të saj në rrobë, rroba të lahet në vend të shenjtë. Ena e baltës, në të cilën është gatuar flija, të thyhet. Nëse është gatuar në enë të bronztë, ena të fërkohet mirë e të shpëlahet me ujë. Prej saj mund të hajë çdo mashkull i familjeve priftërore, sepse është një gjë shumë e shenjtë, ndërsa flija për mëkatin, një pjesë e gjakut të së cilës është çuar në tendën e takimit për të bërë shlyerjen e mëkatit në shenjtërore, të mos hahet, por të digjet në zjarr». «Ky është udhëzimi për flinë e fajit: është një gjë shumë e shenjtë. Flija për fajin të theret në të njëjtin vend ku theret flija e shkrumbimit dhe gjaku i saj të spërkatet përreth altarit. Të kushtohet gjithë dhjami i saj, bishti, dhjami që mbulon zorrët, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bula mbi mëlçi të hiqet bashkë me veshkat. Prifti t'i shkrumbojë mbi altar si fli zjarri për Zotin. Kjo është flija për fajin. Çdo mashkull nga familjet priftërore mund të hajë prej saj. Të hajë në vend të shenjtë, sepse është shumë e shenjtë. Flija për fajin është si flija për mëkatin dhe për të vlen i njëjti udhëzim: flija i përket priftit që kryen shlyerjen. Lëkura e flisë së shkrumbimit i takon priftit që kryen kushtimin e flisë së shkrumbimit. Priftit që kryen kushtimin i takon edhe çdo fli drithi e pjekur në furrë, e skuqur në tigan apo e pjekur në saç. Çdo fli drithi përzier me vaj apo e thatë u takon të gjithë pasardhësve të Aronit, në masë të barabartë për secilin. Ky është udhëzimi për flinë e paqtimit që i kushtohet Zotit: nëse ndokush dëshiron të kushtojë fli falënderimi, të paraqesë si fli falënderimi kuleç të ndormë përzier me vaj, pite të ndorme lyer me vaj dhe kuleç prej maje mielli përzier me vaj. Të paraqesë edhe disa kuleç me tharm bashkë me këtë fli, për të shoqëruar flinë e paqtimit për falënderim. Prej secilës fli merrni nga një kulaç e kushtojani Zotit si dhuratë. Ajo i takon priftit që kreu spërkatjen e gjakut të flisë së paqtimit. Mishi i flisë së paqtimit për falënderim, të hahet ditën që kushtohet dhe të mos lihet asgjë për të nesërmen. Nëse flija që paraqitet është fli kushti apo fli vullnetare, të hahet po atë ditë që kushtohet. Nëse tepron ndonjë gjë, të hahet të nesërmen. Nëse mishi i flisë tepron për ditën e tretë, të digjet në zjarr. Nëse ndokush ha prej mishit të flisë së paqtimit ditën e tretë, ai që kushtoi flinë nuk do të pranohet dhe flija nuk do t'i merret parasysh. Ky mish është i papastër dhe kush ha prej tij do të jetë fajtor. Mishi, që mund të ketë prekur ndonjë gjë të papastër, të mos hahet, por të digjet në zjarr. Nga mishi i flisë mund të hanë të gjithë ata që janë të pastër. Kush është i papastër dhe ha mishin e flisë së paqtimit, që i është kushtuar Zotit, të zhbihet prej popullit. Kush prek ndonjë gjë të papastër njeriu, kafshe apo të çfarëdolloj fëlliqësie të pështirë, dhe ha mishin e flisë së paqtimit, që i është kushtuar Zotit, ai njeri të zhbihet prej popullit». Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: dhjamin e kaut, të deles apo të dhisë mos e hani. Dhjamin e një kafshe të ngordhur apo të një kafshe që e ka shqyer bisha, mund ta përdorni për punë të ndryshme, por mos e hani assesi. Kush ha dhjamin e një kafshe që kushtohet si fli zjarri për Zotin, të zhbihet prej popullit. Po ashtu, mos përdorni për ushqim asnjë lloj gjaku, as shpendi, as bagëtie. Kush ha gjak të çdo lloji, të zhbihet prej popullit». Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: kush i kushton fli paqtimi Zotit, t'i paraqesë Zotit pjesën e caktuar prej flisë së paqtimit. T'ia paraqesë me duart e veta Zotit flinë që duhet të digjet në zjarr. Dhjamin ta sjellë bashkë me gjoksin. Gjoksi të ngrihet si fli lartësimi për Zotin. Dhjamin prifti ta shkrumbojë në altar, ndërsa gjoksi i takon Aronit e bijve të tij. Edhe kofsha e djathtë e flisë së paqtimit t'i jepet si dhuratë priftit. Kofsha e djathtë u takon për pjesë bijve të Aronit që kushtojnë gjakun e dhjamin e flisë së paqtimit, sepse gjoksin e flisë së lartësimit dhe kofshën e dhuratës e mora prej flive të paqtimit të bijve të Izraelit e ia dhashë priftit Aron e bijve të tij si rregull të përhershëm nga ana e bijve të Izraelit». Kjo është pjesa që i takon Aronit e bijve të tij prej flive të zjarrit për Zotin. Ajo u jepet ditën që kryejnë shërbesën e tyre priftërore për Zotin. Këto urdhëroi Zoti t'u jepen atyre, prej bijve të Izraelit, ditën që i vajosi. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. Këto janë udhëzimet për flitë e shkrumbimit, flitë e drithit, flitë për mëkatin, flitë për fajin, flitë e shugurimit dhe për flitë e paqtimit, që Zoti i urdhëroi Moisiut në malin e Sinait, ditën kur Zoti u urdhëroi bijve të Izraelit t'i kushtojnë fli Zotit në shkretëtirën e Sinait. Zoti i tha Moisiut: «Merr Aronin bashkë me bijtë e tij, rrobat, vajin e vajosjes, mëzatin për flinë e mëkatit, dy desh, shportën me bukë të ndorme, e mblidh gjithë bashkësinë te hyrja e tendës së takimit». Moisiu bëri siç e urdhëroi Zoti dhe mblodhi bashkësinë te hyrja e tendës së takimit. Moisiu i tha bashkësisë: «Ja ç'ka urdhëruar Zoti të bëhet». Mandej, nxori përpara Aronin e bijtë e tij e i lau me ujë. Aronit i veshi tunikën dhe i ngjeshi brezin, i veshi petkun dhe efodin e i ngjeshi brezin e efodit. Pastaj i vuri parzmoren dhe mbi parzmore Urimin e Tumimin. Në kokë i vuri kësulën e mbi kësulë, në anën e ballit, i vuri pllakën e artë dhe kurorën e shenjtë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Mandej, Moisiu mori vajin e vajosjes, vajosi tendën me gjithçka ndodhej atje dhe i shenjtëroi. Me pak vaj stërpiku altarin shtatë herë, vajosi altarin me gjithë enët e tij dhe shenjtëroi legenin me gjithë bazën e tij. Mandej, i hodhi Aronit në kokë nga vaji i vajosjes, e vajosi dhe e shenjtëroi. Moisiu afroi edhe bijtë e Aronit, i veshi me tunika, i ngjeshi me brez dhe u vuri kësulëza në kokë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Solli edhe mëzatin për flinë e mëkatit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e mëzatit të flisë për mëkatin. Mandej, Moisiu e theri mëzatin, mori gjak me gisht dhe e vuri mbi brirët e altarit rreth e qark. Kështu e pastroi altarin prej mëkatit. Pjesën tjetër të gjakut e derdhi te themelet e altarit dhe e shenjtëroi për të kryer mbi të shlyerjen. Mori tërë dhjamin që mbulonte zorrët, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamin e tyre dhe i dogji mbi altar. Pjesën tjetër të mëzatit, lëkurën, mishin e rropullitë i dogji në zjarr jashtë fushimit, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Mandej, solli dashin për flinë e shkrumbimit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e dashit. Moisiu e theri dhe gjakun e spërkati rreth altarit. Dashin e ndau në copa. Kokën, copat dhe dhjamin i dogji në zjarr. Pasi i lau të përbrendshmet dhe këmbët me ujë, Moisiu e dogji të gjithë dashin mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti. Ishte fli erëkëndshme shkrumbimi, fli zjarri për Zotin. Solli edhe dashin e dytë për flinë e shugurimit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e dashit. Moisiu e theri, mori gjak dhe e leu Aronin në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. Pastaj afroi bijtë e Aronit dhe i leu me gjak në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. Pjesën tjetër të gjakut, Moisiu e spërkati rreth altarit. Pastaj mori dhjamin, bishtin, gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën mbi mëlçi, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe kofshën e djathtë. Prej shportës së bukëve të ndorme që ishte para Zotit, mori një bukë të ndorme, një kulaç me vaj dhe një pite e i vuri mbi dhjamin e mbi kofshën e djathtë. Të gjitha këto ia vuri mbi pëllëmbë Aronit e bijve të tij dhe ata i ngritën si fli lartësimi para Zotit. Pastaj Moisiu i mori nga duart e tyre dhe i dogji në altar si fli shkrumbimi. Kjo ishte flija erëkëndshme e shugurimit, fli zjarri për Zotin. Moisiu mori gjoksin e dashit dhe e ngriti si fli lartësimi para Zotit. Kjo ishte pjesa prej dashit të flisë së shugurimit që i takonte Moisiut, siç e kishte urdhëruar Zoti. Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes dhe gjakun që ishte në altar e spërkati me to Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij. Kështu, ai e shenjtëroi Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij. Mandej, Moisiu i tha Aronit e bijve të tij: «Ziejeni mishin te hyrja e tendës së takimit e hajeni aty bashkë me bukët, që janë në shportën e flisë së shugurimit, ashtu siç urdhërova kur thashë t'i hanin Aroni e bijtë e tij. Pjesën e mbetur të mishit e të bukës digjeni në zjarr. Për shtatë ditë mos u largoni prej hyrjes së tendës së takimit, derisa të plotësohen ditët e shugurimit, sepse duhen shtatë ditë që të bëhet shugurimi juaj. Ashtu siç u bë sot, ashtu ka urdhëruar Zoti të bëhet edhe për shlyerjen e mëkatit tuaj. Rrini te hyrja e tendës së takimit për shtatë ditë e shtatë net dhe zbatoni urdhrin e Zotit, që të mos vdisni. Kështu më është urdhëruar». Aroni e bijtë e tij bënë gjithçka sipas urdhrit që Zoti i kishte dhënë Moisiut. Ditën e tetë Moisiu thirri Aronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit. Atëherë i tha Aronit: «Merr një viç për fli mëkati dhe një dash për fli shkrumbimi dhe paraqiti para Zotit. Të dy të jenë të patëmetë. Izraelitëve thuaju kështu: merrni një cjap për fli mëkati, një viç e një qengj motak të patëmetë për fli shkrumbimi, një dem e një dash për fli paqtimi, që t'i kushtoni para Zotit. Merrni edhe fli drithi përzier me vaj, sepse sot do t'ju dëftohet Zoti ». Ata morën çka u kishte urdhëruar Moisiu e i sollën para tendës së takimit. U afrua edhe gjithë bashkësia dhe qëndronte para Zotit. Moisiu u tha: «Ky është urdhri që dha Zoti. Zbatojeni dhe do t'ju dëftohet lavdia e tij». Aronit i tha: «Afrohu tek altari, kushto flinë tënde të mëkatit dhe flinë tënde të shkrumbimit dhe bëj shlyerjen për vete e për popullin. Kushto flinë e popullit dhe bëj për ta shlyerjen, siç ka urdhëruar Zoti ». Aroni u afrua tek altari dhe theri viçin për flinë e vet të mëkatit. Pastaj bijtë e vet i sollën Aronit gjakun. Ai ngjeu në të gishtin dhe leu me gjak brirët e altarit, ndërsa gjakun e derdhi në themelet e altarit. Dhjamin, veshkat dhe bulën e mëlçisë së flisë për mëkatin i dogji mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Mishin dhe lëkurën i dogji në zjarr jashtë fushimit. Mandej theri flinë e shkrumbimit. Bijtë e vet i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit. Pastaj i sollën flinë e shkrumbimit të ndarë në copa bashkë me kokën dhe ai i shkrumboi mbi altar. Lau edhe zorrët bashkë me këmbët e i dogji në altar mbi flinë e shkrumbimit. Mandej paraqiti flinë e popullit. Mori cjapin e flisë së mëkatit të popullit, e theri dhe e kushtoi si fli mëkati, siç kishte bërë edhe me flinë e parë. Paraqiti edhe flinë e shkrumbimit dhe e kushtoi sipas urdhëresës. Pastaj paraqiti flinë e drithit. Mbushi grushtin me të dhe e dogji në altar, përveç flisë mëngjesore të shkrumbimit. Pastaj theri demin e dashin si fli paqtimi për popullin. Të bijtë i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit. Dhjamin e demit dhe të dashit, bishtin e dhjamosur, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e mëlçisë i vendosi mbi gjokset e flive dhe i dogji në altar. Gjoksin dhe kofshën e djathtë Aroni i ngriti para Zotit si fli lartësimi, siç kishte urdhëruar Moisiu. Atëherë Aroni ngriti duart mbi popullin dhe e bekoi. Pasi kushtoi flinë për mëkatin, flinë e shkrumbimit dhe flinë e paqtimit, Aroni zbriti nga altari. Mandej, Moisiu e Aroni hynë në tendën e takimit, dolën dhe bekuan popullin. Mbarë popullit iu dëftua lavdia e Zotit. Prej pranisë së Zotit doli një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe dhjamin që ishin mbi altar. Mbarë populli e pa, brohoriti dhe u përkul me fytyrë përdhe. Nadabi e Abihui, bijtë e Aronit, morën secili temjanicën e vet, i mbushën me prush, vunë mbi to temjan dhe i kushtuan Zotit një zjarr të pashenjtëruar që ai nuk ua kishte urdhëruar. Atëherë prej pranisë së Zotit doli një zjarr, që i përpiu, e ata vdiqën në prani të Zotit. Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Për këtë foli Zoti kur tha: “Tek ata që më afrohen do ta tregoj shenjtërinë time, do të përlëvdohem para syve të mbarë popullit”». Aroni nuk foli. Moisiu thirri Mishaelin dhe Elcafanin, bijtë e Uzielit, ungjit të Aronit, e u tha: «Shkoni e merrni vëllezërit tuaj prej shenjtërores dhe nxirrini jashtë fushimit». Ata shkuan dhe i nxorën me gjithë rroba jashtë fushimit, siç kishte urdhëruar Moisiu. Pastaj Moisiu i tha Aronit e bijve të tij, Eleazarit e Itamarit: «Mos i shkulni flokët e mos i shqyeni rrobat, që të mos vdisni e që të mos bjerë zemërimi i Zotit mbi gjithë bashkësinë. Ata që i dogji zjarri i Zotit le t'i qajnë vëllezërit tuaj dhe mbarë shtëpia e Izraelit. Mos dilni jashtë derës së tendës së takimit, se jeni lyer me vajin e vajosjes së Zotit. Përndryshe, do të vdisni». Ata bënë siç i urdhëroi Moisiu. Zoti i tha Aronit: «Kur të hyni në tendën e takimit, mos pini verë e pije dehëse, as ti e as bijtë e tu, që të mos vdisni. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. Kështu, do të mund të dalloni mes gjërave të shenjta e gjërave të rëndomta, mes të pastrave e të papastrave, dhe do të mund t'u mësoni izraelitëve të gjitha rregullat që u ka urdhëruar Zoti përmes Moisiut». Moisiu i tha Aronit e bijve që i kishin mbetur, Eleazarit e Itamarit: «Çka mbetet prej flisë së drithit pas kushtimit të flive të zjarrit për Zotin, merreni dhe hajeni si bukë të ndorme pranë altarit, sepse është gjë shumë e shenjtë. Hajeni në vendin e shenjtë, se është pjesa e caktuar për ju e për bijtë tuaj prej flive të zjarrit për Zotin. Kështu më është urdhëruar. Gjoksin e flisë së lartësimit dhe kofshën e dhuratës hajeni në një vend të pastër bashkë me bijtë e me bijat, se kjo është pjesa e caktuar për ju e për bijtë tuaj prej flive të paqtimit të izraelitëve. Kofshën e dhuratës dhe gjoksin e flisë së lartësimit silleni e ngrijeni bashkë me dhjamin e flive të zjarrit si fli lartësimi për Zotin. Ju përket juve e bijve tuaj, si një e drejtë e përhershme, siç ka urdhëruar Zoti ». Mandej, Moisiu kërkoi të dinte si e kishin kushtuar cjapin e flisë për mëkatin dhe mori vesh se e kishin djegur. Atëherë ai u zemërua me Eleazarin e me Itamarin, bijtë që i kishin mbetur Aronit, e u tha: «Pse nuk e hëngrët flinë për mëkatin në vendin e shenjtë? Ajo është gjë shumë e shenjtë e ju është dhënë për të hequr fajin e bashkësisë dhe për të bërë shlyerjen për të para Zotit. Meqenëse gjaku i flisë nuk ishte sjellë brenda shenjtërores, ju duhet ta hanit atë në shenjtërore, siç ju urdhërova». Aroni iu përgjigj Moisiut: «Ja, sot që u kushtua flija për mëkatin dhe flija e shkrumbimit para Zotit, më ndodhën gjithë këto gjëra. Po të haja sot flinë për mëkatin, a do ta kisha pëlqimin e Zotit?». Kur Moisiu i dëgjoi këto, mbeti i kënaqur. Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Thuajuni izraelitëve se, prej të gjitha kafshëve të tokës, këto janë kafshët që mund të hani: hani çdo kafshë dythundrake e ripërtypëse. Megjithatë, kafshët dythundrake ose ripërtypëse që nuk duhet të hani janë këto: deveja, se ripërtypet, por nuk e ka thundrën të ndarë, është e papastër për ju; vjedulla, se ripërtypet, por nuk e ka thundrën të ndarë, është e papastër për ju; lepuri, se ripërtypet, por nuk e ka thundrën të ndarë, është i papastër për ju; dhe derri, se e ka thundrën të ndarë, por nuk ripërtypet, është i papastër për ju. Nuk do ta hani mishin e tyre dhe nuk do të prekni kërmat e tyre, se janë të papastra për ju. Nga të gjitha kafshët e detit mund të hani çdo gjë që ka pendë e luspa, qofshin kafshë liqeni, deti apo lumi. Mos hani asgjë që nuk ka pendë e luspa, qofshin kafshë deti apo lumi, zvarranikë uji apo çfarëdolloj kafshe tjetër që lëviz në ujë. Të jenë të neveritshme për ju. Këto kafshë do të jenë të neveritshme për ju. Mishin e tyre mos e hani dhe kërmat e tyre të jenë të neveritshme. Çdo kafshë uji që nuk ka pendë e luspa të jetë e neveritshme për ju. Këta janë shpendët që do të jenë të neveritshëm për ju e që nuk do t'i hani, ngaqë janë të neveritshëm: shqiponja, huta, fajkoi, qifti, çdo lloj skifteri, çdo lloj korbi, struci, kukuvajka, pulëbardha, çdo lloj fajkoi, bufi, zhytra, ibisi, mjellma, pelikani, fajkoi i detit, lejleku, çdo lloj çafke, pupëza e lakuriqi i natës. Çdo lloj insekti me krahë, që ecën mbi katër këmbë, të jetë i neveritshëm për ju. Nga të gjitha insektet mund të hani çdo lloj insekti me krahë që ecën mbi katër këmbë dhe këmbët e pasme i ka me nyje për të kërcyer mbi tokë. Nga këto mund të hani çdo lloj kandrre, çdo lloj bulkthi dhe çdo lloj karkaleci. Çdo lloj tjetër insekti me krahë që ecën mbi katër këmbë të jetë i neveritshëm për ju. Të gjitha këto ju bëjnë të papastër. Kush prek kërmat e tyre do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush mbart kërmën e tyre duhet të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo kafshë thundrake, por që nuk e ka thundrën të ndarë e që nuk ripërtypet, është e papastër për ju. Kush e prek bëhet i papastër. Të gjitha kafshët katërkëmbëshe që ecin mbi putra janë të papastra për ju. Kush prek kërmën e tyre do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush mbart kërmën e tyre duhet të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Këto janë të papastra për ju. Nga kafshët që zvarriten mbi tokë, këto janë të papastra për ju: bukla, miu, çdo lloj hardhuce, hardhja, varani, hardhuca e murit, urithi e kameleoni. Nga zvarranikët e tokës, këto kafshë janë të papastra për ju. Kush i prek pasi të kenë ngordhur do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo gjë mbi të cilën bie kërma e tyre bëhet e papastër, çdo enë druri, rrobë, lëkurë apo thes, çfarëdolloj sendi i përdorur për punë. Lajini me ujë, por janë të papastra deri në mbrëmje. Mandej do të jenë të pastra. Çdo enë balte, në të cilën bie ndonjë prej tyre, të thyhet, sepse është e papastër me gjithçka mban. Nëse ndonjë ushqimi i bie ujë prej asaj ene, ushqimi bëhet i papastër dhe çfarëdolloj pije që pihet nga një enë e tillë është e papastër. Çdo gjë mbi të cilën bie kërma e tyre, bëhet e papastër, qoftë furrë apo vatër. Le të prishen, sepse janë të papastra. Çmojini ato si të papastra. Burimet e sternat e ujit mbeten të pastra, por kush prek një kërmë aty, bëhet i papastër. Nëse kërma e tyre bie mbi çdo lloj fare drithi, që është për mbjellje, fara mbetet e pastër. Por nëse fara është lagur me ujë dhe bie mbi të ndonjë kërmë, ajo bëhet e papastër për ju. Nëse ngordh ndonjë nga kafshët që mund të hani, kush prek kërmën e saj do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush ha prej kërmës së saj, të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Po ashtu, kush mbart kërmën e saj, të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo lloj zvarraniku që zvarritet mbi tokë është i neveritshëm dhe nuk duhet të hahet. Mos hani asnjë kafshë që zvarritet mbi barkun e vet dhe asnjë zvarranik me katër apo më shumë këmbë, se janë të papastra. Mos e ndotni veten me zvarranikë e mos u bëni të papastër prej tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Shenjtërohuni e bëhuni të shenjtë, se edhe unë jam i shenjtë. Mos u përdhosni prej zvarranikëve që zvarriten mbi tokë. Unë jam Zoti që ju nxora prej dheut të Egjiptit, që të bëhesha Perëndia juaj. Jini të shenjtë, se edhe unë jam i shenjtë». Ky është udhëzimi për kafshët, për shpendët, për gjallesat e ujit dhe për çdo qenie që zvarritet mbi tokë. Bëni dallim mes të pastrës e të papastrës, që të dini cilën kafshë të hani e cilën të mos hani. Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: kur gruaja shtatzënë lind djalë, ajo do të jetë e papastër për shtatë ditë, siç është e papastër edhe gjatë të përmuajshmeve. Ditën e tetë djali të rrethpritet, por ajo duhet të presë edhe tridhjetë e tri ditë për t'u pastruar nga gjaku i vet. Të mos prekë asgjë të shenjtë e të mos hyjë në shenjtërore, derisa të plotësojë ditët e pastrimit. Nëse lind vajzë, ajo do të jetë e papastër për dy javë, si gjatë të përmuajshmeve. Të presë gjashtëdhjetë e gjashtë ditë për t'u pastruar nga gjaku i vet. Kur të jenë plotësuar ditët e pastrimit për lindjen e një djali apo të një vajze, të sjellë një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një zog pëllumbi ose një turtull si fli mëkati dhe t'ia japë priftit te hyrja e tendës së takimit. Prifti t'i kushtojë para Zotit për të bërë shlyerjen për të dhe ajo do të pastrohet prej gjakrrjedhjes. Ky është udhëzimi për gruan që lind djalë ose vajzë. Nëse nuk i ka mundësitë për të kushtuar një qengj, të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, njërin për flinë e shkrumbimit dhe tjetrin për flinë e mëkatit. Prifti të bëjë për të shlyerjen e ajo do të pastrohet». Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Nëse ndokujt i del në lëkurë një ënjtje, kore apo njollë e shndritshme, që duket si plagë lebre, ai të çohet te prifti Aron apo te cilido prift prej bijve të tij. Prifti ta shqyrtojë plagën e lëkurës dhe, nëse qimja në vendin e plagës është zbardhur e plaga duket më e thellë se lëkura, plaga është lebër. Pasi ta ketë shqyrtuar, prifti ta shpallë të papastër. Nëse njolla e shndritshme në lëkurë nuk duket të jetë futur thellë në mish dhe nëse qimja nuk është zbardhur, prifti ta veçojë për shtatë ditë atë që ka plagën. Ditën e shtatë prifti ta shqyrtojë sërish dhe, nëse shikon se plaga nuk ka ndryshuar e nuk është përhapur në lëkurë, ta veçojë edhe për shtatë ditë të tjera. Pas shtatë ditësh ta shqyrtojë sërish dhe, nëse shikon se plaga është zbehur e nuk është përhapur në lëkurë, ta shpallë të pastër, sepse është vetëm puçërr. Ai njeri të lajë rrobat dhe do të jetë i pastër. Nëse e ka parë prifti dhe e ka shpallur të pastër, por njolla përhapet në lëkurë, ai duhet të paraqitet sërish te prifti. Prifti ta shqyrtojë sërish dhe, nëse njolla është përhapur në lëkurë, prifti ta shpallë të papastër, sepse është lebër. Nëse ndokujt i shfaqet plaga e lebrës, të çohet te prifti. Prifti ta shqyrtojë dhe, nëse ka ndonjë të ënjtur të bardhë mbi lëkurë, nëse qimja i është zbardhur dhe në ënjtje ka mish të gjallë, atëherë ai ka lebër të përhershme mbi lëkurë. Prifti ta shpallë të papastër, por mos ta veçojë si të papastër. Nëse lebra i përhapet mbi lëkurë dhe ia mbulon tërë lëkurën e trupit nga koka te këmbët, aq sa mund t'ia kapë syri priftit, prifti ta shqyrtojë dhe, nëse lebra i ka mbuluar tërë trupin, ta shpallë të pastër. Ai njeri është i pastër, sepse është zbardhur i tëri. Kur të shfaqet mbi të mish i gjallë, atëherë të shpallet i papastër. Prifti, pasi ta ketë parë mishin e gjallë, ta shpallë të papastër, sepse mishi i gjallë është i papastër, është lebër. Nëse mishi i gjallë i zbardhet sërish, le të paraqitet te prifti, i cili, pasi të ketë shqyrtuar se plaga i është zbardhur, ta shpallë të pastër atë që ka plagën, sepse është i pastër. Nëse ndokush ka pasur mbi lëkurë ndonjë çiban, që i është shëruar, dhe në vendin e çibanit i del ndonjë ënjtje e bardhë apo ndonjë njollë e bardhë, le të paraqitet te prifti. Prifti ta shqyrtojë dhe, nëse njolla duket më e thellë së lëkura dhe qimja i është zbardhur, ta shpallë të papastër, sepse është plagë lebre, që ka shpërthyer në çiban. Nëse prifti shikon se qimja nuk është zbardhur dhe se çibani nuk është më thellë se lëkura dhe është zbehur, ta veçojë për shtatë ditë. Nëse përhapet, le ta shpallë të papastër, sepse është lebër. Nëse njolla e shndritshme rri në vend e nuk përhapet, është vurratë çibani. Atëherë prifti ta shpallë të pastër. Nëse dikush pëson një djegie të lëkurës nga zjarri dhe vendi i djegies bëhet njollë e shndritshme, e murrme ose e bardhë, prifti ta shqyrtojë dhe, nëse qimja te njolla është zbardhur e njolla duket më e thellë së lëkura, është lebër që ka shpërthyer te vendi i djegies. Prifti ta shpallë të papastër, sepse është plagë lebre. Nëse prifti shikon se qimja në njollë nuk është zbardhur dhe se njolla nuk është më e thellë se lëkura dhe është zbehur, ta veçojë për shtatë ditë. Pas shtatë ditësh, prifti ta shqyrtojë sërish dhe, nëse njolla është përhapur në lëkurë, ta shpallë të papastër, sepse është plagë lebre. Nëse njolla ka mbetur në vend dhe nuk është përhapur në lëkurë, por është e zbehtë, atëherë është fryrje nga djegia. Prifti ta shpallë të pastër, sepse është vurratë prej djegies. Nëse një burrë ose një grua ka një plagë në kokë ose në mjekër, prifti ta shqyrtojë plagën dhe, nëse plaga është më e thellë së lëkura dhe qimja është zverdhur e holluar, ta shpallë të papastër, sepse është qere, lebër e kokës ose e mjekrës. Nëse prifti e shqyrton plagën e qeres dhe nuk duket më e thellë se lëkura e nuk ka qime të zeza, ta veçojë për shtatë ditë atë që ka plagën. Pas shtatë ditësh, prifti ta shqyrtojë sërish plagën dhe nëse qerja nuk është përhapur, nëse në të nuk ka qime të verdha dhe nëse nuk duket më e thellë se lëkura, ai që ka plagën të rruhet, përveçse në vendin e qeres. Mandej, prifti ta veçojë edhe shtatë ditë. Pas shtatë ditësh, prifti ta shqyrtojë sërish qeren dhe nëse qerja nuk është përhapur në lëkurë e nuk duket më e thellë se lëkura, ta shpallë të pastër. Ai njeri të lajë rrobat dhe do të jetë i pastër. Nëse është shpallur i pastër, por i përhapet qerja, prifti ta shqyrtojë sërish. Nëse qerja është përhapur në lëkurë, prifti të mos shqyrtojë a ka qime të verdha, sepse ai njeri është i papastër. Nëse sheh se qerja është ndalur dhe se në të kanë dalë qime të zeza, qerja është shëruar dhe ai njeri është i pastër. Prifti ta shpallë të pastër. Nëse një burri ose një gruaje u shfaqen njolla të shndritshme mbi lëkurë, njolla të bardha, le t'i shqyrtojë prifti. Nëse njolla e shndritshme mbi lëkurë është në të bardhë të zbehtë, është kurtesh i lëkurës. Ai njeri është i pastër. Nëse dikujt i bien flokët e kokës, ai njeri është i shogët dhe është i pastër. Nëse flokët i kanë rënë në pjesën e përparme, është i shogët mbi ballë dhe është i pastër. Por, nëse në pjesën qerose apo mbi ballin qeros del një plagë e bardhë në të kuqërreme, është lebër që ka shpërthyer mbi kokë ose mbi ballë. Prifti ta shqyrtojë dhe, nëse ënjtja e plagës është e bardhë në të kuqërreme mbi pjesën qerose ose mbi ballin qeros dhe ngjan me lebrën e lëkurës, ai njeri ka lebër dhe është i papastër. Prifti ta shpallë të papastër, sepse ka lebër në kokë. I lebrosuri, që e ka kapur kjo sëmundje, t'i mbajë rrobat të shqyera, flokët të shprishur, mjekrën të mbuluar e të thërrasë: “I papastër! I papastër!”. Për sa kohë të ketë plagën është i papastër. Ai është i papastër dhe duhet të jetojë vetëm, jashtë fushimit. Nëse lebra shfaqet në veshje të leshta apo të linjta, mbi stof leshi apo liri, të endur ose të thurur, mbi lëkurë apo mbi rroba lëkure, dhe nëse njolla mbi rrobë apo mbi lëkurë, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi rrobën e lëkurës është në të gjelbër apo në të kuqërreme, është plagë lebre dhe duhet t'i tregohet priftit. Prifti ta shqyrtojë njollën e plagës e ta veçojë për shtatë ditë. Ditën e shtatë ta shqyrtojë sërish njollën dhe, nëse sheh se është përhapur mbi rrobën, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi lëkurën e rrobave të lëkurës, është plagë e keqe dhe rroba është e papastër. Prifti ta djegë rrobën, stofin e endur apo të thurur dhe rrobat prej lëkure mbi të cilat gjendet njolla, sepse është plagë e keqe dhe duhet djegur në zjarr. Nëse prifti sheh se njolla nuk është përhapur mbi rrobë, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi rrobën e lëkurës, të urdhërojë që rroba me plagën e lebrës të lahet e ta veçojë edhe për shtatë ditë. Nëse prifti sheh se pas larjes njolla nuk ka ndryshuar, edhe pse nuk është përhapur, ajo është e papastër dhe duhet të digjet në zjarr. Të digjet në zjarr, sepse njolla po e ha nga brenda e nga jashtë. Nëse prifti sheh se pas larjes njolla është zvogëluar, ta presë prej rrobës, prej lëkurës ose prej stofit të endur apo të thurur. Por, nëse njolla shfaqet sërish mbi rrobën, mbi stofin e endur apo të thurur ose mbi rrobën e lëkurës, e ka kapur plaga, prandaj duhet ta djegësh në zjarr. Ndërsa rrobat, stofet e endura apo të thurura dhe rrobat prej lëkure që, pasi të jenë larë, nuk kanë më njollë plage, të lahen sërish dhe mandej do të jenë të pastra. Ky është udhëzimi për rrobat, për stofet e endura apo të thurura e për çdo rrobë lëkure, kur i zë sëmundja e lebrës dhe sesi shpallen të pastra». Zoti i tha Moisiut: «Ky është udhëzimi për pastrimin e të lebrosurit. Të çohet te prifti dhe prifti të dalë jashtë fushimit e të shohë a i është shëruar lebra. Mandej, për atë që duhet të pastrohet, prifti të urdhërojë të merren dy shpendë të pastër të gjallë, dru cedri, pëlhurë e kuqe dhe hisop. Prifti të urdhërojë që njëri nga shpendët të theret në një enë balte me ujë të rrjedhshëm. Shpendin tjetër të gjallë ta marrë bashkë me drurin e cedrit, me pëlhurën e kuqe dhe hisopin e t'i ngjyejë në gjakun e shpendit të therur në ujin e rrjedhshëm. Ta spërkatë shtatë herë mbi atë që duhet të pastrohet nga lebra dhe ta shpallë të pastër. Shpendin e gjallë ta lëshojë të fluturojë nëpër fusha. Ai që duhet të pastrohet, të lajë rrobat, të rruajë të gjitha qimet e trupit dhe të lahet me ujë. Pasi të jetë pastruar, të hyjë në fushim, por të qëndrojë jashtë tendës së vet për shtatë ditë. Pas shtatë ditësh, të rruajë të gjitha qimet e kokës, mjekrën, vetullat dhe të gjitha qimet e trupit. Mandej, të lajë rrobat dhe veten me ujë e do të jetë i pastër. Ditën e tetë, të marrë dy qengja të patëmetë, një rrunëz të patëmetë, nëntë kilogramë majë mielli për fli drithi përzier me vaj dhe një gjysmë litër vaj. Prifti, që kryen pastrimin, ta paraqesë para Zotit atë që duhet të pastrohet dhe të gjitha këto te hyrja e tendës së takimit. Mandej, prifti të marrë njërin qengj e ta paraqesë si fli faji, ndërsa gjysmën e litrit të vajit ta lartësojë si fli lartësimi para Zotit. Qengjin ta therë në vendin ku theren flija për mëkatin dhe flija e shkrumbimit, në vendin e shenjtë, sepse, sikurse flija për mëkatin, edhe flija për fajin i takon priftit. Kjo është gjë shumë e shenjtë. Prifti të marrë pak prej gjakut të flisë për fajin dhe të lyejë bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë të atij që duhet të pastrohet. Pastaj prifti të marrë pak prej vajit e ta vërë mbi pëllëmbën e vet të majtë, të ngjyejë gishtin e djathtë në vajin që ka mbi pëllëmbën e majtë e të spërkatë shtatë herë me vaj para Zotit me gisht. Me vajin që i ka mbetur mbi pëllëmbë, prifti të lyejë bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë të atij që duhet të pastrohet, aty ku e ka lyer me gjakun e flisë për fajin. Pjesën tjetër të vajit, që i ka mbetur mbi pëllëmbë, prifti ta derdhë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet dhe të kryejë për të shlyerjen para Zotit. Mandej, prifti të kushtojë flinë për mëkatin dhe të bëjë shlyerjen për atë që duhet të pastrohet prej papastërtisë së vet. Pasi ta ketë therur flinë e shkrumbimit, prifti të kushtojë flinë e shkrumbimit dhe flinë e drithit mbi altar, duke bërë shlyerjen për të. Atëherë ai do të jetë i pastër. Por, nëse ai njeri është i varfër dhe nuk i ka mundësitë, të sjellë vetëm një qengj për flinë e fajit dhe për flinë e lartësimit, për të bërë shlyerjen për veten. Të sjellë edhe tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj si fli drithi, një gjysmë litër vaj, dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, sipas mundësive, njërin zog për flinë e mëkatit dhe tjetrin për flinë e shkrumbimit. T'ia sjellë këto priftit ditën e tetë për të kryer pastrimin, te hyrja e tendës së takimit, para Zotit. Prifti ta marrë qengjin për flinë e fajit, bashkë me gjysmë litër vaj, e t'i lartësojë si fli lartësimi para Zotit. Mandej, prifti të therë qengjin e flisë për fajin, të marrë pak prej gjakut të tij dhe të lyejë bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë të atij që duhet të pastrohet. Një pjesë të vajit prifti ta derdhë mbi pëllëmbën e vet të majtë. Me gishtin e djathtë të spërkatë shtatë herë me vajin, që ka mbi pëllëmbën e majtë, para Zotit. Mandej, të lyejë me pak vaj bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së majtë të atij që duhet të pastrohet, mbi vendin ku e kishte lyer me gjakun e flisë për fajin. Pjesën tjetër të vajit, që i ka mbetur mbi pëllëmbë, prifti ta derdhë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet dhe të kryejë për të shlyerjen para Zotit. Pastaj të kushtojë një nga turtujt ose një nga zogjtë e pëllumbit, sipas mundësisë. Prifti ta kushtojë njërin prej zogjve të paraqitur sipas mundësisë si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi bashkë me flinë e drithit, duke bërë shlyerjen e atij që duhet të pastrohet para Zotit. Ky është udhëzimi për të lebrosurin që nuk i ka mundësitë të sjellë çfarë kërkohet për pastrimin e tij». Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Kur të keni hyrë në tokën e Kanaanit, që unë po ju jap trashëgim, nëse dërgoj plagën e lebrës në ndonjë nga shtëpitë e vendit që keni marrë trashëgim, i zoti i asaj shtëpie të shkojë e t'i thotë priftit: “Më duket se shtëpinë time e ka prekur një plagë”. Atëherë prifti të urdhërojë që të zbrazet shtëpia para se të hyjë ai për të shqyrtuar plagën, që të mos shpallen të papastra të gjitha sendet e shtëpisë. Mandej të hyjë prifti për ta shqyrtuar shtëpinë. Nëse prifti sheh se në muret e shtëpisë ka plasaritje në të gjelbër apo në të kuqërreme, që duken se janë më të thella se sipërfaqja e murit, prifti të dalë te hyrja e shtëpisë dhe ta mbyllë shtëpinë për shtatë ditë. Pas shtatë ditësh, prifti të kthehet dhe, nëse shikon se plaga është përhapur në muret e shtëpisë, të urdhërojë të hiqen gurët në të cilët është plaga e të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit. Shtëpia të gërryhet nga jashtë e nga brenda dhe suvaja e gërryer të hidhet në një vend të papastër jashtë qytetit. Në vend të gurëve që u hoqën, të vihen gurë të tjerë dhe shtëpia të suvatohet me llaç tjetër. Nëse plaga shfaqet sërish në atë shtëpi, pasi të jenë hequr gurët, të jetë gërryer dhe të jetë suvatuar sërish, dhe vjen prifti e sheh se plaga është përhapur nëpër shtëpi, atëherë shtëpinë e ka prekur lebra dhe është e papastër. Shtëpia të shkatërrohet dhe gurët, drurët e suvaja e saj të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit. Kush hyn në atë shtëpi pasi të jetë mbyllur, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush fle në atë shtëpi duhet të lajë rrobat dhe kush ha në atë shtëpi duhet të lajë rrobat. Nëse prifti vjen dhe sheh se plaga nuk është përhapur në shtëpi, pas suvatimit të saj, ta shpallë shtëpinë të pastër, sepse është pastruar nga plaga. Për pastrimin e shtëpisë prej mëkatit, të marrë dy zogj, dru cedri, pëlhurë të kuqe dhe hisop. Njërin nga zogjtë ta therë në një enë balte me ujë të rrjedhshëm. Zogun tjetër të gjallë ta marrë bashkë me drurin e cedrit, me pëlhurën e kuqe dhe hisopin e t'i ngjyejë në gjakun e shpendit të therur në ujin e rrjedhshëm. Mandej të spërkatë shtëpinë shtatë herë. Kështu, ai do ta pastrojë shtëpinë me gjakun e zogut, me ujin e rrjedhshëm, me zogun e gjallë, me drurin e cedrit, me hisopin e me pëlhurën e kuqe. Pastaj ta lëshojë zogun e gjallë jashtë qytetit, të fluturojë nëpër fusha. Kështu ta kryejë shlyerjen për atë shtëpi dhe ajo do të jetë e pastër. Ky është udhëzimi për çdo plagë të lebrës e të qerosjes, për çdo lebër rrobash apo shtëpie, për ënjtjet, për koret e lëkurës dhe për njollat e ndritshme, që të përcaktohet kur diçka është e papastër apo e pastër. Ky është udhëzimi për lebrën». Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Flisni me izraelitët e thuajuni: nëse ndonjë burrë ka rrjedhje prej gjymtyrës, rrjedhja është e papastër. Papastërtia e tij vjen për shkak të rrjedhjes. Ai bëhet i papastër edhe kur gjymtyra e tij e nxjerr rrjedhjen, edhe kur gjymtyra e tij nuk e nxjerr rrjedhjen. Çdo shtrat, ku shtrihet ai që ka pësuar rrjedhjen, është i papastër dhe çdo gjë, ku ulet ai, është e papastër. Kush prek shtratin e tij, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush ulet në vendin ku ka qenë ulur ai që ka pësuar rrjedhjen, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush prek trupin e atij që ka pësuar rrjedhjen, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Nëse ai që ka pësuar rrjedhjen pështyn mbi një njeri të pastër, ky të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo shalë, mbi të cilën ka kalëruar ai që ka pësuar rrjedhjen, është e papastër. Kush prek ndonjë gjë që ka qenë nën atë që ka pësuar rrjedhjen, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush i mbart ato, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kushdo që preket me duar të palara nga ai që ka pësuar rrjedhjen, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Nëse ai që ka pësuar rrjedhjen prek një enë balte, ena e baltës të thyhet, ndërsa ena e drurit të lahet me ujë. Kur të pastrohet prej rrjedhjes, ai që ka pësuar rrjedhjen të numërojë shtatë ditë për pastrimin e vet. Atëherë të lajë rrobat dhe gjymtyrën me ujë të rrjedhshëm dhe do të jetë i pastër. Ditën e tetë të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, të paraqitet para Zotit në hyrje të tendës së takimit e t'ia japë priftit. Prifti ta kushtojë njërin zog si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi, duke kryer për të shlyerjen para Zotit për rrjedhjen e tij. Nëse ndonjë burrë ka derdhje fare, ta lajë tërë trupin me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Rrobat e lëkura, mbi të cilat ka rënë fara, të lahen me ujë, por do të jenë të papastra deri në mbrëmje. Nëse një burrë kryen marrëdhënie me një grua, të lahen të dy me ujë, por do të jenë të papastër deri në mbrëmje». «Nëse një grua ka rrjedhje gjaku dhe e ka prej të përmuajshmeve, ajo do të jetë e papastër për shtatë ditë dhe, kush e prek, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo shtrat ku shtrihet ajo do të jetë i papastër dhe çdo vend ku ulet ajo do të jetë i papastër. Kush prek shtratin e saj, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush prek vendin ku është ulur ajo, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush prek shtratin e saj apo çdo send që ka qenë mbi shtratin e saj, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush shkon në shtrat me të, kur ajo është e papastër me të përmuajshmet, do të jetë i papastër për shtatë ditë dhe çdo shtrat ku shtrihet ai, do të jetë i papastër. Nëse një grua pëson rrjedhje gjaku për shumë ditë, jo në kohën e të përmuajshmeve apo nëse rrjedhja e gjakut shkon përtej kohës së të përmuajshmeve, ajo do të jetë e papastër si të ishte me të përmuajshmet. Çdo shtrat, ku shtrihet gjatë kohës që ka rrjedhje, do të jetë i papastër si shtrati kur është me të përmuajshmet dhe çdo vend, ku ulet, do të jetë i papastër si të ishte me të përmuajshmet. Kush i prek ato bëhet i papastër. Të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Nëse rrjedhja e gjakut ndalet, të numërojë shtatë ditë dhe gruaja do të jetë e pastër. Ditën e tetë të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi e t'ia sjellë priftit te hyrja e tendës së takimit. Prifti ta kushtojë njërin zog si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi, duke kryer shlyerjen për të para Zotit për papastërtinë e rrjedhjes së gjakut. Kështu, pra, veçojini izraelitët prej papastërtisë së tyre, që të mos vdesin për shkak të papastërtisë dhe të përdhosin tendën time që është mes tyre». Ky është udhëzimi për atë që ka derdhje të farës, duke u bërë i papastër, dhe për gruan, që bëhet e papastër për shkak të rrjedhjes së gjakut gjatë të përmuajshmeve, pra, për burrin dhe për gruan që pësojnë rrjedhje, si edhe për burrin që shkon në shtrat me një grua të papastër. Pas vdekjes së dy bijve të Aronit, që u vranë kur iu afruan pranisë së Zotit, Zoti i foli Moisiut. Zoti i tha Moisiut: «Fol me vëllanë tënd, Aronin, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej velit, para pajtimores që mbulon arkën e besëlidhjes, që të mos vdesë. Unë do të shfaqem në renë përmbi pajtimore. Kur të hyjë në shenjtërore, Aroni të marrë një mëzat për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. Të veshë drejt e në mish këmishën e shenjtë dhe mbathjet prej liri, të ngjishet me brez prej liri dhe në kokë të vërë kësulë prej liri. Këto janë veshjet e shenjta që duhet t'i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë. Prej bashkësisë së izraelitëve të marrë dy cjep për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. Aroni ta kushtojë mëzatin si fli për mëkatin e vet dhe të bëjë shlyerjen për veten e për shtëpinë e tij. Të marrë dy cjeptë e t'i vendosë para Zotit te hyrja e tendës së takimit. Mandej Aroni të hedhë short mbi dy cjeptë, njërin për Zotin e tjetrin për Azazelin. Cjapin, mbi të cilin ra shorti për Zotin, ta kushtojë si fli për mëkatin, ndërsa cjapin, mbi të cilin ra shorti për Azazelin, ta vendosë të gjallë para Zotit, për të bërë mbi të shlyerjen, duke e lënë të shkojë tek Azazeli në shkretëtirë. Aroni ta marrë mëzatin e flisë për mëkatin, me të cilin do të bëjë shlyerjen për veten dhe për shtëpinë e tij, dhe ta therë. Mandej të marrë temjanicën e ta mbushë me prush prej altarit që është para Zotit, të mbushë edhe grushtin me temjan erëmirë e të hyjë në shenjtërore përtej velit. Temjanin erëmirë ta hedhë mbi prush para Zotit, që reja e temjanit të mbulojë pajtimoren që është mbi dëshminë. Kështu, Aroni nuk ka për të vdekur. Mandej të marrë prej gjakut të mëzatit e të spërkatë me gisht pajtimoren në anën lindore. Të spërkatë prej gjakut me gisht edhe shtatë herë përballë pajtimores. Pasi ta ketë therur cjapin për flinë e mëkateve të popullit, ta sjellë gjakun e tij brenda velit dhe të veprojë siç bëri me gjakun e mëzatit, duke e spërkatur mbi pajtimoren dhe përballë saj. Kështu do të kryejë shlyerjen e shenjtërores prej papastërtive të izraelitëve dhe prej paudhësive e mëkateve të tyre. Ashtu të veprojë edhe me tendën e takimit, që ndodhet ndër ta, mes papastërtive të tyre. Askush të mos jetë në tendën e takimit kur të hyjë prifti në shenjtërore e derisa të dalë prej saj, kur ai të kryejë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për mbarë bashkësinë e Izraelit. Kur të shkojë tek altari para Zotit për të kryer shlyerjen për të, të marrë prej gjakut të mëzatit e të cjapit dhe të lyejë brirët e altarit. Mandej ta spërkatë altarin shtatë herë me gisht për ta pastruar e për ta shenjtëruar prej papastërtive të izraelitëve. Pasi të ketë kryer shlyerjen për shenjtëroren, për tendën e takimit dhe për altarin, të sjellë cjapin e gjallë. Aroni t'i vërë të dyja duart mbi kokën e cjapit të gjallë dhe të rrëfejë mbi të gjithë paudhësinë, shkeljet dhe mëkatet e izraelitëve, duke i vënë mbi kokën e cjapit. Pastaj ta çojë në shkretëtirë me një njeri të caktuar për këtë. Cjapi do t'i mbartë mbi vete të gjitha paudhësitë në një tokë të shkretë. Ai njeri do ta lërë cjapin të lirë në shkretëtirë. Pastaj Aroni të hyjë në tendën e takimit, të heqë rrobat e linjta, që kishte veshur kur hyri në shenjtërore, e t'i lërë atje. Të lahet me ujë në vendin e shenjtë, të vishet, të dalë për të kushtuar flinë e vet të shkrumbimit dhe flinë e shkrumbimit të popullit dhe të bëjë shlyerjen për veten dhe për popullin. Dhjamin e flisë për mëkatin ta djegë mbi altar. Ai që çoi cjapin për Azazelin, të lajë rrobat dhe trupin me ujë e pastaj të hyjë në fushim. Mëzati i flisë për mëkatin dhe cjapi i flisë për mëkatin, gjaku i të cilëve u soll në shenjtërore për të bërë shlyerjen, të nxirren jashtë fushimit e t'u digjen në zjarr lëkurat, mishi e rropullitë. Ai që do t'i djegë, të lajë rrobat dhe trupin me ujë dhe të hyjë në fushim. Ky është rregull i përhershëm për ju: në muajin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit, do të përulni veten dhe nuk do të bëni asnjë punë, as vendasi e as i huaji që banon ndër ju. Atë ditë prifti të bëjë shlyerjen për ju, për t'ju pastruar prej të gjitha mëkateve që të jeni të pastër para Zotit. Do të jetë për ju një ditë pushimi e plotë, kur të përulni veten. Ky është rregull i përhershëm. Shlyerjen ta kryejë prifti që është vajosur e shuguruar për të shërbyer si prift në vend të të atit. Prifti të vishet me rrobat e shenjta prej liri dhe të kryejë shlyerjen për shenjtëroren e shenjtë, për tendën e takimit dhe për altarin. Të kryejë shlyerjen edhe për priftërinjtë dhe për mbarë popullin e bashkësinë. Ky është rregull i përhershëm për ju në lidhje me shlyerjen e të gjitha mëkateve të izraelitëve, një herë në vit». U bë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Zoti i tha Moisiut: «Fol me Aronin, me bijtë e tij dhe me të gjithë izraelitët e thuaju: kështu ka urdhëruar Zoti: “Cilido izraelit që ther një ka, një qengj apo një cjap brenda apo jashtë fushimit, pa e sjellë te hyrja e tendës së takimit për t'ia paraqitur si kushtim Zotit, të mbahet fajtor për gjakderdhje dhe të zhbihet prej popullit të vet, që izraelitët të mos i kushtojnë flitë e tyre nëpër fusha, por t'i sjellin para priftit e t'ia paraqesin Zotit te hyrja e tendës së takimit e t'ia kushtojnë Zotit si fli paqtimi. Prifti ta spërkatë gjakun mbi altarin e Zotit në hyrje të tendës së takimit, ndërsa dhjamin ta djegë si fli erëkëndshme për Zotin. Kështu, ata nuk do t'ua kushtojnë më flitë e tyre idhujve në trajtë cjapi, me të cilët kurvërojnë. Ky është rregull i përhershëm për ta e për të gjitha breznitë”. Po ashtu thuaju: “Cilido izraelit apo cilido i huaj, që banon me ta, që kushton fli shkrumbimi apo ndonjë fli tjetër, pa e paraqitur te hyrja e tendës së takimit, për t'ia kushtuar Zotit, të zhbihet prej popullit. Unë do të kthehem kundër cilitdo izraeliti apo të ardhuri mes tyre që ha gjak e do ta zhbij prej popullit të vet. Jeta e çdo gjallese është në gjakun e saj. Prandaj jua kam dhënë ta vini mbi altar për të kryer shlyerjen për veten tuaj. Gjaku është jetë, prandaj shlyen. Për këtë u kam thënë izraelitëve: askush prej jush të mos hajë gjak dhe askush prej të huajve mes jush të mos hajë gjak. Nëse ndonjëri prej izraelitëve apo prej atyre që banojnë me ta shkon për gjueti dhe zë ndonjë kafshë apo shpend që mund të hahet, t'ia derdhë gjakun dhe ta mbulojë me dhe. Jeta e çdo gjallese është në gjakun e saj. Prandaj, i kam urdhëruar izraelitët të mos e hanë gjakun e asnjë gjallese, sepse jeta e çdo gjallese është në gjakun e saj dhe ai që ha gjak do të zhbihet. Cilido vendas apo i ardhur që ha mishin e një bagëtie të ngordhur apo të shqyer nga kafshët e egra, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Mandej do të jetë i pastër. Nëse nuk i lan rrobat e nuk lahet vetë, atëherë do të mbartë mbi vete paudhësinë e vet”». Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mos veproni siç veprojnë në tokën e Egjiptit, ku keni jetuar, dhe mos veproni siç veprojnë në tokën e Kanaanit, ku unë po ju çoj. Mos i ndiqni doket e tyre. Zbatojini vendimet e mia dhe mbajini rregullat e mia e ndiqini ato. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mbajini rregullat e mia dhe vendimet e mia, se njeriu që i zbaton, do të jetojë përmes tyre. Unë jam Zoti. Askush nuk duhet t'i afrohet të afërmit të vet nga farefisi për të kryer marrëdhënie me të. Unë jam Zoti. Mos kryej marrëdhënie me nënën tënde, gruan e atit tënd. Ajo është nëna jote, prandaj mos kryej marrëdhënie me të. Mos kryej marrëdhënie me gruan e atit tënd, se është çnderim për vetë atin tënd. Mos kryej marrëdhënie me motrën nga ati ose nga nëna, është apo s'është anëtare e familjes. Mos kryej marrëdhënie me bijën e birit tënd apo të bijës sate, sepse është çnderim për veten tënde. Mos kryej marrëdhënie me bijën e gruas së atit tënd, të cilën e ke motër prej atit. Ajo është motra jote dhe nuk do të kryesh marrëdhënie me të. Mos kryej marrëdhënie me motrën e atit tënd, se është e afërmja e atit tënd. Mos kryej marrëdhënie me motrën e nënës sate, sepse është e afërmja e nënës sate. Mos iu afro e mos kryej marrëdhënie me gruan e vëllait të atit tënd, sepse është xhaxhesha jote. Mos kryej marrëdhënie me të renë tënde. Ajo është gruaja e tët biri, prandaj mos kryej marrëdhënie me të. Mos kryej marrëdhënie me gruan e vëllait tënd, sepse është çnderim për vëllanë tënd. Mos kryej marrëdhënie me një grua dhe me bijën e saj ose me të bijën e birit ose bijës së saj. Mos kryej marrëdhënie, sepse janë të afërm. Është poshtërsi. Mos merr për grua të dytë motrën e gruas sate, për sa kohë gruaja jote është gjallë, dhe mos kryej marrëdhënie me të. Mos iu afro gruas së papastër prej të përmuajshmeve dhe mos kryej marrëdhënie me të. Mos bjer në shtrat me gruan e fqinjit, se bëhesh i papastër. Mos i kushto Molekut asnjë nga fëmijët e tu si fli, që të mos përdhosësh emrin e Perëndisë tënd. Unë jam Zoti. Mos bjer në shtrat me një mashkull, siç bëhet me një grua. Është fëlligështi. Mos bjer në shtrat me bagëti, që të bëhesh i papastër me to. Gruaja të mos jepet në epshe me bagëti. Është shtrembërim. Mos u bëj i papastër me asnjë prej këtyre gjërave. Kombet që unë po i dëboj para syve tuaj, janë të papastër për shkak të këtyre gjërave. E papastër u bë edhe toka, prandaj unë do ta ndëshkoj dhe ajo do t'i vjellë banorët e saj. Mbajini rregullat e mia dhe vendimet e mia e mos bëni asnjë prej këtyre fëlligështive, as ju vendasit dhe as të ardhurit që banojnë mes jush. Të gjitha këto fëlligështi i bënë popujt që banuan në këtë tokë para jush dhe toka u ndot. Nëse edhe ju e bëni të papastër tokën, ajo do t'ju vjellë, siç volli kombet që ishin para jush. Kushdo që bën ndonjë prej këtyre fëlligështive, do të zhbihet prej popullit. Mbajini, pra, urdhërimet e mia e mos ndiqni asnjë prej zakoneve të fëlligështa, që kishin ata që ishin para jush, dhe mos u bëni të papastër me to. Unë jam Zoti, Perëndia juaj». Zoti i tha Moisiut: «Fol me mbarë bashkësinë e izraelitëve e thuaju: jini të shenjtë, se unë, Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë. Secili prej jush ta nderojë të ëmën e të atin. Mbajini të shtunat e mia. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mos u ktheni tek idhujt e rremë e mos bëni për vete shtatore idhujsh. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Kur t'i kushtoni Zotit fli paqtimi, kushtoni siç duhet, që të pranoheni prej tij. Flija të hahet ditën që është kushtuar ose të nesërmen, por ç'të mbetet për të pasnesërmen, të digjet në zjarr. Nëse hahet të pasnesërmen, është mish i papastër dhe nuk do të pranohet. Kush ha, të mbajë mbi vete fajin, sepse ka përdhosur gjënë e shenjtë të Zotit. Ai njeri të zhbihet prej popullit të vet. Kur të korrni prodhimet e tokës suaj, mos e korrni deri në skaj të arës. Kallinjtë që kanë rënë, mos i mblidhni. Mos kalo sërish nëpër vresht për të mbledhur vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri për të varfrin e për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mos vidhni e mos gënjeni. Mos e mashtroni njëri-tjetrin. Mos bëni betim të rremë në emrin tim, duke përdhosur kështu emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti. Mos përfito prej të afërtit e mos i rrëmbe gjë. Fitimin e mëditësit mos e mbaj deri në mëngjes. Mos e mallko të shurdhrin e mos i vër pengesa të verbrit, por druaje Perëndinë tënd. Unë jam Zoti. Mos bëni padrejtësi nëpër gjyqe. Mos mbaj anën e të varfrit e mos e përkrah të fortin, por gjykoje të afërtin me drejtësi. Mos përhap shpifje nëpër popull e mos merr pjesë në gjakderdhje kundër të afërtit tënd. Unë jam Zoti. Mos e urre në zemër vëllanë tënd, por qortoje të afërtin, që të mos mbash barrën e mëkatit të tij. Mos merr hak e mos mbaj mëri me bijtë e popullit tënd. Duaje të afërtin si veten. Unë jam Zoti. Mbajini vendimet e mia! Mos mbarështo kafshë të llojeve të ndryshme, arën mos e mbill me farëra të ndryshme e mos vish rroba të bëra me dy lloje stofesh. Nëse një burrë bie në shtrat me një skllave të fejuar me një burrë tjetër, por që nuk është shpenguar apo nuk i është dhënë liria, le të ndëshkohen, por të mos vriten, sepse ajo nuk ishte e lirë. Ai burrë t'i sjellë Zotit, si fli për fajin, një dash te hyrja e tendës së takimit. Me dashin e flisë për fajin, prifti të kryejë për të para Zotit shlyerjen për mëkatin dhe atij do t'i falet mëkati që ka bërë. Kur të keni hyrë në tokën tuaj e të keni mbjellë lloje të ndryshme pemësh frutore, mbajini frutat e tokës si të ndaluara. Për tre vjet do t'i keni të ndaluara e nuk do t'i hani. Vitin e katërt të gjitha frutat e saj të shenjtërohen për Zotin si fli lavdërimi. Vetëm vitin e pestë mund t'i hani frutat e saj, që prodhimi t'ju shtohet. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mos hani asgjë me gjak. Mos ushtroni as shortarinë, as magjinë. Mos i qethni rrumbullak flokët e mos e shkurtoni mjekrën. Mos e çirrni trupin për të vdekurit e mos mbishkruani asnjë figurinë mbi lëkurë. Unë jam Zoti. Mos e çndero tët bijë, duke e bërë lavire, që vendi të mos jepet pas kurvërisë e të mos mbushet me fëlligështi. Mbajini të shtunat e mia dhe druajeni shenjtëroren time. Unë jam Zoti. Mos u jepni pas atyre që thërrasin shpirtra të vdekurish e pas yshtësve, që të mos bëheni të papastër prej tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Ngrihuni në këmbë para flokëthinjurve, nderojeni të moshuarin dhe druajeni Perëndinë tuaj. Unë jam Zoti. Nëse një i huaj vjen të banojë me ju në tokën tuaj, mos e trajtoni keq. Të huajin që banon me ju mbajeni si vendasin dhe duajeni si veten, sepse edhe ju keni qenë të huaj në tokën e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mos bëni padrejtësi në gjyqe, në masat e gjatësisë, të peshës e të vëllimit. Masat e peshoret t'i keni të sakta, efahun e hinin aq sa duhen. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxora prej tokës së Egjiptit. Mbajini të gjitha rregullat e mia dhe të gjitha vendimet e mia e zbatojini ato. Unë jam Zoti ». Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: nëse ndonjë izraelit apo i ardhur, që jeton në Izrael, i kushton fëmijën e vet si fli Molekut, të vritet. Populli i vendit ta vrasë me gurë. Unë vetë do të kthehem kundër atij njeriu dhe do ta zhbij prej popullit të tij, sepse ai ia dhuroi fëmijën Molekut, duke e ndotur shenjtëroren time dhe duke përdhosur emrin tim të shenjtë. Nëse populli i vendit i mbyll sytë për të mos e parë atë njeri, që i dhuron fëmijën Molekut, dhe nuk e vret, unë do të kthehem vetë kundër atij njeriu e kundër farefisit të tij dhe do ta zhbij prej popullit të tij, bashkë me të gjithë ata që kurvërojnë duke u dhënë pas Molekut. Unë do të kthehem edhe kundër atij që kurvëron, duke u dhënë pas atyre që thërrasin shpirtra të vdekurish e pas yshtarëve, dhe do ta zhbij prej popullit të tij. Shenjtërohuni dhe jini të shenjtë, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mbajini vendimet e mia dhe zbatojini ato. Unë jam Zoti që ju shenjtëron. Nëse dikush mallkon të atin dhe të ëmën, të vritet. Ka mallkuar të atin dhe të ëmën, prandaj gjaku i tij bie mbi vetë atë. Nëse dikush shkel kurorën me një grua të martuar, domethënë me gruan e të afërtit, ai që kurvëroi dhe ajo që kurvëroi duhet të vriten. Nëse dikush bie në shtrat me njerkën, duke zbuluar kështu lakuriqësinë e të atit, të vritet bashkë me njerkën dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. Nëse dikush bie në shtrat me të renë e vet, të vriten që të dy. Kanë kryer një shtrembërim. Gjaku i tyre rëntë mbi ta. Nëse një mashkull bie në shtrat me një mashkull, siç bëhet me një femër, kanë kryer fëlligështi. Të vriten që të dy dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. Nëse dikush martohet me një grua dhe me nënën e saj, ka kryer poshtërsi. Edhe ai, edhe ato të digjen në zjarr. Mes jush nuk do të ketë poshtërsi. Nëse dikush kryen marrëdhënie me një kafshë, të vritet edhe ai, edhe kafsha. Nëse një grua jepet me epsh pas një kafshe, të vritet edhe gruaja, edhe kafsha. Të vriten dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. Nëse dikush merr për grua motrën e vet, bijën e atit të vet apo bijën e nënës së vet, dhe sheh lakuriqësinë e saj dhe ajo të tijën, kjo është vepër e turpshme. Le të zhbihen në sy të popullit, sepse ka zbuluar lakuriqësinë e së motrës, dhe ai le të mbajë fajin e vet. Nëse dikush bie në shtrat me ndonjë grua gjatë të përmuajshmeve të saj dhe i zbulon lakuriqësinë, duke zbuluar burimin e gjakrrjedhjes së saj, por edhe ajo të gjakrrjedhjes së vet, të zhbihen që të dy prej popullit. Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së nënës sate apo të motrës së atit tënd, sepse zbulon lakuriqësinë e të afërmit. Këta le të mbajnë fajin e vet. Nëse dikush bie në shtrat me gruan e ungjit të vet, zbulon lakuriqësinë e ungjit. Ai dhe gruaja do të mbajnë fajin e vet dhe do të vdesin pa fëmijë. Kush merr gruan e të vëllait, kryen gjë të papastër. Ai ka parë lakuriqësinë e të vëllait dhe do të mbetet pa fëmijë. Mbajini të gjitha rregullat e mia dhe të gjitha vendimet e mia, zbatojini ato, që të mos ju vjellë edhe ju toka, në të cilën po ju çoj për të banuar. Mos jetoni sipas ligjeve të kombeve, që unë po dëboj para jush, sepse ata i kanë bërë të gjitha këto, prandaj më janë neveritur. Juve ju kam thënë: do ta merrni si trashëgim tokën e tyre dhe unë do t'ju jap si trashëgim një tokë, në të cilën rrjedh qumësht e mjaltë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju ka ndarë prej popujve të tjerë. Bëni dallim mes kafshëve të papastra e të pastra, mes zogjve të papastër e të pastër dhe mos u ndotni me kafshë, me shpendë e me çdo gjë që zvarritet mbi tokë dhe që për ju unë i kam ndarë si të papastra. Do të jeni të shenjtë për mua, sepse unë, Zoti, jam i shenjtë dhe ju kam ndarë prej popujve, që të më përkisni mua. Ai burrë ose ajo grua që thërrasin shpirtra të vdekurish apo që yshtin, të vriten. Le t'i vrasin me gurë dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta». Zoti i tha Moisiut: «Fol me priftërinjtë, bijtë e Aronit, e thuaju: prifti të mos bëhet i papastër duke prekur kufomën e bashkëkombësve, përveç farefisit të ngushtë, nënës, atit, birit, bijës, vëllait dhe motrës së virgjër, që jeton me të e që nuk është martuar ende. Atë mund ta prekë e nuk do të bëhet i papastër. Prifti të mos bëhet i papastër prej të afërmve prej martesës, që të mos përdhoset. Priftërinjtë të mos e rruajnë kokën, të mos e shkurtojnë mjekrën dhe të mos bëjnë asnjë prerje mbi trupin e tyre. Le të jenë të shenjtë për Perëndinë e tyre e të mos e përdhosin emrin e Perëndisë së tyre. Ata i kushtojnë flitë në zjarr për Zotin dhe ushqimet për Perëndinë e tyre, prandaj le të jenë të shenjtë. Të mos martohen me gra lavire, të pandershme apo të ndara nga burri, sepse prifti është i shenjtë për Perëndinë e tij. Mbaje për të shenjtë, sepse ai ia kushton Perëndisë tënd ushqimet. Le të jetë, pra, për ty i shenjtë, sepse i shenjtë jam edhe unë, Zoti, ai që ju shenjtëron. Nëse bija e një prifti çnderon veten me lavirësi, ajo çnderon të atin, prandaj të digjet në zjarr. Kryeprifti është më i madhi ndër vëllezërit e tij. Atij i është zbrazur mbi kokë vaji i vajosjes dhe ai është shuguruar e ka veshur rrobat e shenjta. Ai, pra, të mos e zbulojë kokën e të mos i shqyejë rrobat, të mos i afrohet asnjë kufome e të mos bëhet i papastër, as për të atin e as për të ëmën. Të mos dalë prej shenjtërores, që të mos e përdhosë shenjtëroren e Perëndisë së tij, sepse është shuguruar me vajin e vajosjes së Perëndisë së tij. Unë jam Zoti. Kryeprifti të martohet me vajzë të virgjër. Të mos martohet, pra, me vejushë, me grua të ndarë nga burri, me grua të pandershme apo me lavire, por të marrë një vajzë të virgjër prej popullit të vet. Kështu, ai nuk do ta përdhosë farën e vet mes popullit të vet, sepse unë, Zoti, e shenjtëroj atë». Zoti i tha Moisiut: «Fol me Aronin e thuaji: asnjë prej pasardhësve të tu ndër breza, që do të ketë ndonjë të metë, nuk do të afrohet për të kushtuar ushqime për Perëndinë e tij. Kush ka ndonjë të metë trupore të mos afrohet, asnjë i verbër apo i çalë, hundëçarë apo me gjymtyrë të shformuara, me këmbë apo me duar të thyera, gungaç apo shkurtabiq, që ka njollë në sy apo mbi lëkurë, që ka zgjebe apo ka herdhe të shtypura. Kështu, asnjë prej pasardhësve të priftit Aron, që ka ndonjë të metë trupore, të mos afrohet për të kushtuar fli në zjarr për Zotin. Ai është i gjymtuar, prandaj të mos afrohet për të kushtuar ushqime për Perëndinë e tij. Mund të hajë ushqimet e kushtuara për Perëndinë, prej flive të shenjta dhe shumë të shenjta, por të mos hyjë pas velit e të mos i afrohet altarit, se ka të meta. Të mos e përdhosë shenjtëroren time, sepse unë, Zoti, i shenjtëroj». Moisiu ia tregoi këto Aronit, bijve të tij e mbarë izraelitëve. Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit e bijve të tij të bëjnë kujdes me gjërat e shenjta, që izraelitët m'i shenjtërojnë mua, që të mos e përdhosin emrin tim të shenjtë. Unë jam Zoti. Thuaju: kushdo prej pasardhësve tuaj, brez pas brezi, që u afrohet në gjendje të papastër të shenjtave, që izraelitët m'i shenjtërojnë mua, të zhbihet prej pranisë sime. Unë jam Zoti. Asnjë pasardhës i Aronit, i prekur nga lebra apo që ka rrjedhje, të mos hajë prej të shenjtave, derisa të pastrohet. Nëse dikush prek ndonjë gjë të ndotur prej ndonjë kufome apo derdh farën, nëse prek ndonjë zvarranik që e bën të papastër apo ndonjë njeri që e ndot me të gjitha papastërtitë që ka, atëherë ai që i ka prekur këto, është i papastër deri në mbrëmje. Të mos hajë prej të shenjtave derisa të jetë larë me ujë. Kur të perëndojë dielli, do të jetë i pastër dhe atëherë mund të hajë prej të shenjtave, sepse janë ushqime që i takojnë. Të mos hajë mish kafshe të ngordhur apo të shqyer, që të mos bëhet i papastër. Unë jam Zoti. Ta zbatojnë, pra, urdhrin tim, që të mos ngarkohen me mëkate për shkak të tij e të vdesin ngaqë e përdhosin. Unë jam Zoti që i shenjtëroj. Askush tjetër të mos hajë prej të shenjtave. As miku i priftit e as mëditësi të mos hanë prej të shenjtave. Prej tyre mund të hajë ai që prifti e ka blerë me para, si edhe kushdo që ka lindur në shtëpinë e priftit. Ata mund të hanë prej ushqimit të tij. Bija e priftit, që martohet me burrë nga një familje jo priftërore, nuk mund të hajë prej dhuratave të shenjta, por nëse bija e priftit mbetet vejushë apo e ka lënë burri pa fëmijë dhe kthehet në shtëpinë e të atit, atëherë mund të hajë prej ushqimeve të të atit. Askush tjetër të mos hajë prej të shenjtave. Kush ha gabimisht prej të shenjtave, t'ia kthejë priftit sasinë e të shenjtave, duke shtuar edhe një të pestën. Priftërinjtë të mos i përdhosin të shenjtat, që izraelitët i kushtojnë Zotit, e të mos ngarkohen me faj, që kërkon fli, duke ngrënë prej tyre. Unë jam Zoti që i shenjtëron». Zoti i tha Moisiut: «Fol me Aronin, me bijtë e tij dhe me të gjithë izraelitët e thuaju: nëse një izraelit apo i huaj që banon në Izrael, dëshiron të kushtojë si fli kushti apo si fli vullnetare një fli shkrumbimi për Zotin, që të pranohet, duhet të kushtojë një mashkull të patëmetë prej demave, deshve apo cjepve. Mos kushtoni asgjë me të meta, sepse nuk do të pranohet. Nëse dikush dëshiron t'i kushtojë Zotit fli paqtimi, si fli vullnetare apo për të përmbushur një kusht, të marrë nga kopeja apo nga tufa një fli të patëmetë, që të pranohet. Flija të mos ketë asnjë të metë. Mos i kushtoni Zotit asnjë bagëti të verbër, të çalë, të gjymtuar, me lyth, me plagë lëkure apo me zgjebe. Mos kushtoni asnjë prej tyre mbi altar si fli zjarri për Zotin. Si fli vullnetare mund të kushtosh një ka ose një dele që ka një gjymtyrë më të gjatë ose më të shkurtër, por si fli kushti nuk do të pranohet. Mos i kushtoni Zotit asnjë kafshë me herdhe të vrara, të shtypura, të çara apo të hequra. Mos e bëni këtë në vendin tuaj. Mos pranoni prej të huajve asnjë kafshë të tillë për t'ia kushtuar si ushqim Perëndisë tuaj, sepse në to ka gjymtime e të meta. Nuk do t'ju pranohen». Zoti i tha Moisiut: «Kur lind një viç, një qengj apo një kec, lëreni shtatë ditë me të ëmën. Nga dita e tetë e tutje mund të pranohet për kushtim si fli zjarri për Zotin. As lopa, as delja të mos theren në të njëjtën ditë me pjellën e vet. Kur t'i kushtoni Zotit fli falënderimi, kushtojeni në mënyrë të atillë që t'ju pranohet. Hajeni atë ditë dhe mos lini asgjë për të nesërmen. Unë jam Zoti. Mbajini urdhërimet e mia e zbatojini. Unë jam Zoti. Mos e përdhosni emrin tim të shenjtë, që të jem i shenjtë mes izraelitëve. Unë jam Zoti që ju shenjtëroj e që ju nxora nga vendi e Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë jam Zoti ». Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: këto janë të kremtet e Zotit, të cilat do t'i shpallni si mbledhje të shenjta. Ja cilat janë këto të kremte: do të punoni gjashtë ditë, ndërsa dita e shtatë do të jetë e shtunë, ditë pushimi e plotë dhe mbledhje e shenjtë. Mos bëni asnjë punë, sepse e shtuna është në nder të Zotit në të gjitha vendbanimet tuaja. Këto janë të kremtet e Zotit, mbledhjet e shenjta që do të kremtoni në kohën e caktuar për to. Në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë, në mbrëmje, kremtohet Pashka në nder të Zotit. Ditën e pesëmbëdhjetë të po këtij muaji festohet e kremtja e Bukëve të ndorme në nder të Zotit. Për shtatë ditë hani bukë të ndorme. Ditën e parë bëni një mbledhje të shenjtë e mos punoni. Për shtatë ditë t'i kushtoni Zotit fli zjarri. Edhe ditën e shtatë bëni një takim të shenjtë e mos punoni». Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në tokën që po ju jap dhe të korrni prodhimet e saj, dorëzën e parë të korrjes çojeni te prifti. Prifti ta lartësojë dorëzën para Zotit, që t'ju pranohet. Prifti ta lartësojë në ditën pas së shtunës. Ditën që lartësoni dorëzën, kushtojini Zotit si fli shkrumbimi një qengj motak të patëmetë. Flija e drithit, që do të kushtoni bashkë me të, të jetë gjashtë kilogramë majë mielli përzier me vaj si fli erëkëndshme zjarri për Zotin, ndërsa flija e stërpikjes të jetë një litër e gjysmë verë. Mos hani as bukë, as kokrra të pjekura e as kallinj të njomë deri ditën që do t'i kushtoni flinë Perëndisë tuaj. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja». «Nga dita pas së shtunës, pra, nga dita që do të keni sjellë dorëzën si fli lartësimi, numëroni shtatë javë të plota. Numëroni pesëdhjetë ditë nga dita pas së shtunës dhe pastaj kushtoni një fli të re drithi për Zotin. Sillni prej banesave tuaja nga dy bukë për flinë e lartësimit. Bukët të jenë përgatitur me tre kilogramë majë mielli e të gatuhen me tharm, si fryti i parë për Zotin. Bashkë me bukën kushtoni edhe shtatë qengja motakë të patëmetë, një mëzat të vogël e dy desh si fli shkrumbimi për Zotin, bashkë me flinë e drithit e me flinë e stërpikjes, si fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Kushtoni edhe një cjap si fli mëkati dhe dy qengja motakë si fli paqtimi. Prifti t'i lartësojë dy qengjat bashkë me bukët e fryteve të para si fli lartësimi para Zotit. Këto do t'i shenjtërohen Zotit dhe i takojnë priftit. Po këtë ditë do të shpallni një mbledhje të shenjtë dhe atë ditë nuk do të punoni. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja. Kur të korrni prodhimet e tokës suaj, gjatë korrjes mos i korrni anët e arës dhe mos i mblidhni kallinjtë e mbetur, por lërini për skamnorët e për shtegtarët. Unë jam Zoti, Perëndia juaj». Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: Dita e parë e muajit të shtatë të jetë ditë pushimi të plotë. Do të jetë ditë përkujtimore e shpallur me trumbetë, ditë mbledhjeje të shenjtë. Nuk do të punoni e do t'i kushtoni Zotit fli zjarri». Zoti i tha Moisiut: «Dita e dhjetë e po këtij muaji të shtatë do të jetë dita e Shlyerjes. Bëni një mbledhje të shenjtë, përulni veten dhe kushtoni fli zjarri për Zotin. Atë ditë mos punoni, sepse ajo është ditë shlyerjeje, kur ju bëni shlyerjen e mëkateve tuaja para Zotit, Perëndisë tuaj. Kushdo që nuk e përul veten atë ditë, të zhbihet prej popullit. Këdo që punon atë ditë, unë do ta zhbij prej popullit të tij. Mos bëni, pra, asnjë punë. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja. Do të jetë për ju ditë pushimi e plotë dhe do ta përulni veten. Ditën e nëntë të muajit do të pushoni, siç bëni të shtunave, nga mbrëmja deri në mbrëmjen e së nesërmes». Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, do të jetë festa e Kasolleve, të cilën do ta kremtoni për shtatë ditë në nder të Zotit. Ditën e parë bëni një mbledhje të shenjtë e mos punoni. Për shtatë ditë kushtojini Zotit fli zjarri, ndërsa ditën e tetë bëni një mbledhje të shenjtë e kushtojini Zotit fli zjarri. Kjo është ditë mbledhjeje madhështore, prandaj mos punoni. Këto, pra, janë të kremtet e Zotit, të cilat do t'i shpallni si mbledhje të shenjta dhe do t'i kushtoni Zotit fli zjarri, fli shkrumbimi, fli drithi, flitë ose flinë e stërpikjes, sipas rregullit të ditës, pa përfshirë të shtunat e Zotit, dhuratat e kushtimet, flitë vullnetare, që i kushtoni Zotit. Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, kur të keni vjelë prodhimet e tokës, kremtoni për shtatë ditë në nder të Zotit. Ditën e parë dhe ditën e tetë bëni pushim të plotë. Ditën e parë merrni fruta nga pemët më të mira, degë palme, degë me gjethe të dendura dhe degë shelgjesh e gëzoni në prani të Zotit, Perëndisë tuaj, për shtatë ditë. Kremtojeni këtë festë të Zotit për shtatë ditë çdo vit. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. Kremtojeni në muajin e shtatë. Jetoni në kasolle për shtatë ditë. Të gjithë të lindurit në Izrael të banojnë në kasolle, që breznitë tuaja të ardhshme ta dinë sesi i bëra izraelitët të jetojnë në kasolle, kur i nxora prej tokës së Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj». Moisiu u tregoi izraelitëve për të kremtet e Zotit. Zoti i tha Moisiut: «Urdhëroji izraelitët të të sjellin vaj të pastër ulliri të shtrydhur, që llamba e shandanit të jetë e ndezur përherë. Aroni ta ndezë para Zotit nga mbrëmja deri në mëngjes në tendën e takimit, para velit që ndan dëshminë. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. Aroni të kujdeset për llambat mbi shandanin e artë, që të ndriçojnë përherë para Zotit. Merr mandej majë mielli e piq dymbëdhjetë kuleç. Çdo kulaç të jetë gjashtë kilogramë. Vendosi në dy radhë me nga gjashtë mbi tryezën e pastër para Zotit. Mbi çdo radhë vendos temjan të pastër, i cili do të jetë përkujtim për bukën e do të kushtohet si fli zjarri para Zotit. Këto bukë të vendosen përherë para Zotit, çdo të shtunë. Izraelitët t'i sjellin si besëlidhje të amshuar. Ato i përkasin Aronit e bijve të tij. T'i hanë në vendin e shenjtë, sepse për ta ato janë shumë të shenjta dhe pjesë e flive të zjarrit për Zotin. Ky është rregull i përhershëm». Një herë, biri i një gruaje izraelite dhe i një burri egjiptian doli mes izraelitëve e u grind me të birin e një gruaje izraelite dhe të një burri izraelit. I biri i izraelites fyeu e mallkoi emrin e Zotit. Atëherë e çuan te Moisiu. E ëma e tij quhej Shelomita dhe ajo ishte bija e Dibriut, prej fisit të Danit. Të birin ia vunë nën rojë, derisa t'u dëftehej vullneti i Zotit. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Nxirreni jashtë fushimit atë që më fyeu. Të gjithë ata që e dëgjuan t'i vënë duart mbi kokën e tij dhe tërë bashkësia ta vrasë me gurë. Ndërsa izraelitëve thuaju: kush fyen Perëndinë e vet, të mbajë peshën e mëkatit të vet. Kush shan emrin e Zotit, të dënohet me vdekje. Bashkësia të vrasë me gurë të huajin, edhe vendasin. Kush shan emrin e Zotit, të vritet. Kush merr jetë njeriu, të vritet. Kush vret një kafshë, ta shpaguajë; jetë për jetë. Atij që i shkakton plagë të afërtit, siç bëri t'i bëhet; thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb. Çfarë plage i shkaktoi tjetrit, t'i bëhet edhe atij. Kush vret një kafshë, ta shpaguajë, por kush vret një njeri, të vritet. Mbani të njëjtin rregull për të huajin dhe për vendasin, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj». Moisiu foli me izraelitët dhe ata e nxorën jashtë fushimit atë që kishte fyer Zotin dhe e vranë me gurë. Izraelitët bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Zoti i tha Moisiut në malin e Sinait: «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në tokën që po ju jap, edhe toka të bëjë pushim shtunor në nder të Zotit. Mbille arën për gjashtë vjet, krasite vreshtin për gjashtë vjet e vilja prodhimet, por vitin e shtatë edhe toka të bëjë pushim shtunor në nder të Zotit. Mos e mbill arën e mos e krasit vreshtin. Mos korr çka prodhon vetvetiu toka e mos e vil rrushin e vreshtit të pakrasitur. Është vit pushimi shtunor për tokën. Ushqehuni me atë që toka prodhon vetvetiu gjatë vitit të pushimit shtunor, ti, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, mëditësi yt dhe i huaji që banon mes popullit tënd. Me atë që toka prodhon vetvetiu të ushqehen edhe bagëtitë e kafshët e tua». «Numëro shtatë javë vitesh, domethënë shtatë herë shtatë. Këto shtatë javë vitesh bëjnë dyzet e nëntë vjet. Atëherë bjeri borisë në ditën e dhjetë të muajit të shtatë. Është dita e shlyerjes, prandaj bjerini borisë anembanë vendit. Vitin e pesëdhjetë shpalleni si vit të shenjtë dhe kumtoni në mbarë vendin lirinë për të gjithë banorët. Ky vit le të jetë për ju pesëdhjetëvjetor. Gjithkush le të kthehet në pronën e vet dhe në fisin e vet. Viti i pesëdhjetë le të jetë pesëdhjetëvjetor për ju. Mos mbillni e mos korrni ç'ka mbirë vetvetiu dhe vreshtat e pakrasitura mos i vilni, sepse është pesëdhjetëvjetor. Ai është i shenjtë për ju. Hani ç'të ketë mbirë vetvetiu. Në këtë pesëdhjetëvjetor, secili të kthehet në pronën e vet. Kur t'i shesësh ndonjë gjë të afërtit apo kur të blesh prej tij, mos e mashtroni njëri-tjetrin. Bli prej të afërtit sipas numrit të viteve pas pesëdhjetëvjetorit dhe ai të të shesë sipas numrit të viteve deri në pesëdhjetëvjetor. Sa më shumë vite të mbeten aq më shumë të rritet çmimi dhe sa më pak vite të mbeten aq më shumë të ulet çmimi, sepse po të shet numrin e korrjeve. Mos përfito prej të afërtit dhe druaje Perëndinë tënd, sepse unë jam Zoti, Perëndia yt. Zbatojini rregullat e mia dhe mbajini vendimet e mia. Zbatojini ato, që të jetoni të sigurt në vendin tuaj. Kështu, toka do të japë prodhimet e veta, ju do të hani e do të ngiheni dhe do të banoni të sigurt në të. Ju mund të thoni: “Çfarë do të hamë vitin e shtatë, nëse nuk mbjellim e nuk korrim?”. E, pra, unë do ta bekoj për ju vitin e gjashtë, që të japë prodhimin e tre viteve. Vitin e tetë do të mbillni e do të ushqeheni me prodhimet e vjetra deri në vitin e nëntë. Derisa të vijë prodhimi i ri do të hani prodhimin e vjetër». «Toka nuk mund të shitet përgjithmonë, sepse është e imja. Ju jeni të huaj e banorë të përkohshëm. Kështu, në mbarë vendin që do të merrni në pronësi, do të jepni të drejtën e shpengimit të tokës. Nëse ndonjë nga vëllezërit tuaj varfërohet dhe i duhet të shesë një pjesë të pronës, shpenguesi më i afërt të shpengojë çfarë shiti i vëllai. Nëse nuk ka shpengues më të afërt, por ia del të gjejë shumën për shpengimin, të numërojë vitet që kanë kaluar nga blerja dhe t'i japë blerësit shumën e mbetur, që prona t'i kthehet sërish atij. Nëse nuk ia del të gjejë shumën për shpengimin, prona i mbetet blerësit deri në pesëdhjetëvjetor. Në pesëdhjetëvjetor prona e shitur i kthehet të zotit. Nëse dikush shet shtëpinë brenda një qyteti të rrethuar me mure, mund ta shpengojë deri një vit pas shitjes së saj. Por, nëse nuk e shpengon shtëpinë brenda qytetit të rrethuar me mure dhe viti kalon, atëherë shtëpia i përket brez pas brezi atij që e bleu dhe nuk mund të shpengohet as në pesëdhjetëvjetor. Shtëpitë e fshatrave pa mure rrethuese mund të shiten si arat, mund të shpengohen dhe në pesëdhjetëvjetor i kthehen të zotit. Shtëpitë e levitëve që ndodhen në qytetet e levitëve, mund të shpengohen prej tyre në çdo kohë. Edhe nëse e shpengon një tjetër levit, në pesëdhjetëvjetor ajo shtëpi në atë qytet i kthehet të zotit, sepse shtëpitë e qyteteve të levitëve mbahen ndër izraelitë si pronë e levitëve. Kullotat e qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë pronë e tyre përgjithmonë». «Nëse vëllai yt varfërohet e nuk ka të të shpaguajë, pranoje si të huajin e shtegtarin dhe lëre të jetojë me ty. Mos merr kamatë prej tij e mos përfito prej tij. Druaje Perëndinë tënd dhe lëre vëllanë tënd të jetojë me ty. Nuk do t'i japësh hua me kamatë dhe nuk do t'i japësh ushqim për përfitim. Unë jam Zoti Perëndia juaj, që ju nxori prej tokës së Egjiptit për t'ju dhënë tokën e Kanaanit dhe për të qenë Perëndia juaj. Nëse vëllait yt shitet te ti prej skamjes, mos e detyro të të shërbejë si skllav. Trajtoje si mëditës e si të huaj dhe ai do të të shërbejë deri në pesëdhjetëvjetor. Atëherë të largohet prej teje bashkë me të bijtë e të kthehet te fisi dhe te prona e etërve të vet. Se ata janë shërbëtorët e mi që unë i nxora prej tokës së Egjiptit dhe ata nuk mund të shiten si skllevër. Mos sundo mbi të me ashpërsi, por druaj Perëndinë tënd. Mund të merrni skllevër dhe skllave prej popujve që ju rrethojnë. Vetëm prej tyre mund të blini skllevër e skllave. Mund të blini skllevër edhe prej bijve të të huajve që jetojnë me ju ose prej fiseve të tyre që kanë lindur në tokën tuaj e që jetojnë me ju. Ata mund t'i bëni pronë dhe mund t'ua lini si trashëgim bijve tuaj, që t'i keni përgjithmonë për pronë si skllevër. Mbi vëllezërit tuaj izraelitë mos sundoni me ashpërsi. Nëse ndonjë nga të huajt apo shtegtarët që jetojnë ndër ju pasurohet dhe vëllai juaj i varfër shitet tek ai apo te kushdo prej fisit të tij, ai ka të drejtën të shpengohet pas shitjes. Ta shpengojë njëri prej vëllezërve të tij. Ta shpengojë ungji, i biri i ungjit ose kushdo prej farefisit. Edhe vetë, po t'i ketë mundësitë, ta shpengojë veten. Të llogarisë me blerësin kohën që nga viti i shitjes deri në pesëdhjetëvjetor. Çmimi i shpengimit të llogaritet sipas viteve, duke i vlerësuar ditët si ditë rrogëtari. Nëse vitet e mbetura janë shumë, le ta paguajë shpengimin sipas çmimit të blerjes. Nëse mbeten pak vite deri në pesëdhjetëvjetor, le ta paguajë shpengimin sipas numrit të viteve. Ta trajtojë si rrogëtar të punësuar nga viti në vit dhe të mos sundojë ashpër mbi të faqe jush. Nëse nuk mund të shpaguhet në këtë mënyrë, në pesëdhjetëvjetor të largohet bashkë me bijtë e vet, sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi, të cilët unë i nxora prej tokës së Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj». «Mos bëni idhuj të rremë e as shtatore idhujsh për veten tuaj, mos ngrini shtylla të shenjta e mos bëni gurë me fytyra të gdhendura për t'i adhuruar në tokën tuaj, se unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mbajini të shtunat e mia e druani shenjtëroren time. Unë jam Zoti. Nëse ecni sipas vendimeve të mia, nëse i mbani urdhërimet e mia e i zbatoni ato, do t'ju jap shira në kohën e duhur, që toka të japë prodhim dhe që pemët e arave të mbushen me fruta. Atëherë korrjet tuaja do të zgjatin deri në kohën e vjeljes dhe vjelja deri në kohën e korrjes. Do të hani bukë sa të ngiheni e do të jetoni të sigurt në vendin tuaj. Do t'i jap paqe vendit e do të flini të qetë, pa ju trembur kush. Bishat e egra do t'i zhduk prej vendit tuaj dhe shpata nuk do ta përshkojë. Do t'i ndiqni armiqtë e ata do të bien para jush prej shpatës. Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre. Armiqtë do të bien prej shpatës suaj. Do ta kthej vështrimin nga ju, do t'ju bëj pjellorë e do t'ju shtoj dhe besëlidhjen time me ju do ta mbaj. Do të hani prej prodhimit të vjetër e do t'ju zgjatë, mandej do ta hidhni për t'i bërë vend prodhimit të ri. Do ta ngre banesën time mes jush e nuk do t'ju përbuz. Do të eci mes jush, do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxora prej tokës së Egjiptit, që të mos ishit më skllevër të tyre. Unë i theva shufrat e zgjedhës suaj, që të ecnit me kokën lart». «Por, nëse nuk më dëgjoni e nuk i zbatoni këto urdhërime, nëse i hidhni poshtë rregullat e mia, nëse i përbuzni vendimet e mia dhe nuk i zbatoni urdhërimet e mia, por e thyeni besëlidhjen time, atëherë edhe unë do t'ju ndëshkoj. Do t'ju shtie tmerrin, do t'ju rraskapit e do t'ju fus ethet. Sytë do t'ju mpaken e jeta do t'ju venitet. Do të mbillni, por më kot, sepse armiqtë do t'jua hanë të korrat. Do të kthehem kundër jush e do të mposhteni prej armiqve. Ata që ju urrejnë do të sundojnë mbi ju e do të merrni arratinë pa ju ndjekur kush. Nëse nuk do të më dëgjoni edhe pas kësaj, do t'jua shtatëfishoj ndëshkimet për shkak të mëkateve tuaja. Do ta poshtëroj krenarinë e madhështisë tuaj dhe qiellin do t'jua bëj si hekur e tokën si bronz. Mundi do t'u shkojë kot, se toka s'do të japë prodhim e pemët s'do të japin fruta. Nëse veproni kundër meje dhe nëse nuk më dëgjoni, do t'jua shtatëfishoj plagët tuaja sipas mëkateve tuaja. Do të lëshoj kundër jush egërsirat që do t'ju lënë pa fëmijë, do t'ju shfarosin bagëtitë, do t'ju pakësojnë në numër dhe udhët do t'jua shkretojnë. Nëse edhe pas këtyre nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por do të veproni kundër meje, edhe unë do të veproj kundër jush e do t'ju godas shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. Do të dërgoj mbi ju shpatën hakmarrëse të besëlidhjes sime dhe, kur të mblidheni nëpër qytetet tuaja, do të dërgoj ndër ju murtajën e do të bini në dorë të armiqve. Kur t'jua thyej enën e bukës, vetëm dhjetë gra do të pjekin bukë për ju në një furrë të vetme dhe bukën do t'jua japin me masë. Do të hani, por nuk do të ngiheni. Nëse nuk më dëgjoni as kështu dhe veproni kundër meje, do të veproj edhe unë kundër jush i zemëruar e do t'ju ndëshkoj shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të ushqeheni me mishin e bijave tuaja. Faltoret tuaja në vende të larta do t'i shkatërroj, altarët e temjanit do t'i rrënoj, kufomat tuaja do t'i bëj pirg mbi kufomat e idhujve tuaj e do t'ju përbuz. Qytetet tuaja do t'i kthej në gërmadha, altarët tuaj do t'i rrënoj e nuk do ta nuhas erën e këndshme të flive tuaja. Do ta shkretoj tokën tuaj. Armiqtë tuaj, që banojnë në të, do të shtangen nga habia kur ta shohin, ndërsa ju do t'ju hapërdaj ndër kombe dhe do të vringëllij shpatën pas jush. Toka juaj do të mbetet e shkretë dhe qytetet tuaja do të kthehen në gërmadha. Atëherë toka do të shijojë prehjen e të shtunave të saj gjatë kohës që do të jetë e shkretë. Kur të jeni në vendin e armiqve tuaj, toka do të pushojë dhe do të shijojë të shtunat e saj. Do të prehet gjatë gjithë kohës që do të jetë e shkretë, sepse nuk pushoi gjatë të shtunave tuaja, kur banonit në të. Atyre që do të mbesin gjallë prej jush nëpër vendet e armiqve, do t'u fus në zemër tmerrin. Edhe fërfërima e gjethes që bie do t'i bëjë t'ia mbathin. Do të ikin prej shpatës dhe do të bien pa i ndjekur kush. Do të përplasen me njëri-tjetrin si të iknin prej shpatës, pa i ndjekur kush. Asnjëri prej jush nuk do t'i bëjë dot ballë armikut. Do të shuheni mes kombeve dhe do t'ju përpijë toka e armiqve tuaj. Edhe ata prej jush që do të mbesin gjallë nëpër vendet e armiqve tuaj, do të kalben në paudhësitë e tyre. Do të kalben bashkë me etërit e tyre për shkak të paudhësive të tyre». «Ata që do të mbesin, do ta pranojnë paudhësinë e tyre dhe paudhësinë e etërve të tyre, kur më tradhtuan e vepruan kundër meje. Prandaj, edhe unë veprova kundër tyre e i degdisa në vendin e armiqve të tyre. Nëse zemra e tyre e parrethprerë përulet dhe ata e pranojnë paudhësinë, atëherë unë do të kujtohem për besëlidhjen time me Jakobin, për besëlidhjen time me Isakun dhe për besëlidhjen time me Abrahamin. Do të kujtohem edhe për tokën, e cila, kur të jetë braktisur prej tyre dhe të ketë mbetur e shkretë, do të shijojë të shtunat e veta. Ndërsa ata do të pranojnë ndëshkimin e paudhësisë së tyre, sepse nuk i pranuan vendimet e mia dhe i përbuzën rregullat e mia. Por, edhe kur të jenë në tokën e armiqve nuk do të heq dorë prej tyre, nuk do t'i përbuz, që të mos marrin fund dhe nuk do ta zhbëj besëlidhjen time me ta. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre. Do t'u kujtoj besëlidhjen që bëra me të parët e tyre, të cilët i nxora prej dheut të Egjiptit para syve të kombeve, që të bëhem Perëndia i tyre. Unë jam Zoti ». Këto janë rregullat, vendimet e ligjet që Zoti caktoi mes tij dhe izraelitëve përmes Moisiut në malin e Sinait. Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: nëse dikush duhet t'i kushtojë Zotit një njeri, le t'i japë sipas vlerësimit tënd. Për një mashkull njëzet deri në gjashtëdhjetë vjeç, vlera është pesëdhjetë sikla argjendi sipas peshës së shenjtërores. Për një femër vlera është tridhjetë sikla. Për një mashkull pesë deri në njëzet vjeç, vlera është njëzet sikla, ndërsa për një femër, dhjetë sikla. Për një mashkull një muajsh deri në pesë vjeç, vlera është pesë sikla, ndërsa për një femër, tri sikla. Për një mashkull gjashtëdhjetë vjeç e sipër, vlera është pesëmbëdhjetë sikla, ndërsa për një femër, dhjetë sikla. Nëse është i varfër e nuk mund ta paguajë vlerën, të sillet para priftit, që të bëjë vlerësimin. Prifti ta caktojë vlerën sipas mundësive që ka ai që bëri kushtimin. Nëse ndokush i kushton Zotit si fli një kafshë, prej kafshëve që pranohen si kushtim për Zotin, ajo kafshë është e shenjtë. Nuk mund të ndërrohet e nuk mund të zëvendësohet kafsha e mirë me një më të keqe apo e keqja me një më të mirë. Nëse ndokush i ndërron kafshët, atëherë edhe ajo që ndërrohet, edhe ajo me të cilën u ndërrua do të jenë të shenjta. Nëse ndokush i kushton Zotit një kafshë të papastër, le ta sjellë kafshën para priftit. Prifti ta vlerësojë nëse është e mirë apo e keqe dhe çmimi të caktohet sipas vlerësimit të tij. Nëse dëshiron mandej ta shpengojë, le t'i shtojë çmimit edhe të pestën. Nëse ndokush e shenjtëron shtëpinë për Zotin, prifti ta vlerësojë nëse është e mirë apo e keqe dhe çmimi të caktohet sipas vlerësimit të tij. Nëse dëshiron ta shpengojë shtëpinë e shenjtëruar, le t'i shtojë çmimit edhe të pestën dhe shtëpia i mbetet atij. Nëse ndokush i shenjtëron Zotit një pjesë të arës së vet, çmimi të caktohet sipas sasisë së farës që duhet për mbjellje. Nëse toka mbillet me treqind kilogramë elb, çmimi të jetë pesëdhjetë sikla argjendi. Nëse e shenjtëron arën gjatë pesëdhjetëvjetorit, le të çmohet sipas këtij vlerësimi. Por, nëse e shenjtëron arën pas pesëdhjetëvjetorit, prifti ta caktojë çmimin duke zbritur numrin e viteve që mbesin deri në pesëdhjetëvjetor. Nëse dëshiron ta shpengojë arën e shenjtëruar, le t'i shtojë çmimit edhe të pestën e vlerës dhe ara i mbetet atij. Nëse nuk e shpengon arën, por ia shet një tjetri, nuk mund ta shpengojë më. Në pesëdhjetëvjetor, ara i shenjtërohet Zotit si arë e caktuar për përkushtim dhe bëhet pronë e priftit. Nëse i shenjtërohet Zotit një arë e blerë, që nuk është e trashëguar, prifti të bëjë vlerësimin sipas numrit të viteve deri në pesëdhjetëvjetor dhe po atë ditë të bëhet pagesa për arën që iu shenjtërua Zotit. Në pesëdhjetëvjetor ara t'i kthehet pronarit që e shiti, domethënë atij që e kishte pasur trashëgim. Të gjitha vlerësimet të bëhen sipas siklës së shenjtërores. Sikla peshon dhjetë gramë. Pjella e parë e kafshëve, qoftë viç apo qengj, nuk mund t'i shenjtërohet Zotit, sepse të parëlindurit i përkasin tashmë Zotit. Nëse kafsha është e papastër, mund të shpengohet duke i shtuar çmimit të pestën e vlerës. Nëse nuk shpengohet, le të shitet sipas vlerësimit tuaj. Nëse dikush i cakton Zotit si përkushtim ndonjë prej gjërave që i përkasin, njeri, kafshë apo arë, përkushtimi as mund të shitet, as mund të shpengohet. Çdo gjë që i caktohet Zotit si përkushtim është e shenjtë dhe i përket Zotit. Çdo njeri që është caktuar për t'u shfarosur, të mos shpengohet, por të vritet. Një e dhjeta e prodhimeve të tokës, prodhimet e të mbjellave apo të pemëve, i përket Zotit dhe është gjë e shenjtë për Zotin. Kush dëshiron të shpengojë një pjesë të së dhjetës, le t'i shtojë çmimit të pestën e vlerës. Një e dhjeta e gjedhëve dhe e dhenve, që kalojnë nën shkopin e bariut, është gjë e shenjtë dhe i përket Zotit. Mos bëj dallim mes kafshës së mirë e kafshës së keqe dhe mos e ndërro me tjetër. Nëse e ndërron, edhe ajo që ndërrohet, edhe ajo me të cilën u ndërrua do të jenë të shenjta dhe nuk mund të shpengohen». Këto janë urdhërimet që Zoti i dha Moisiut në malin e Sinait për izraelitët. Në ditën e parë të muajit të dytë, në vitin e dytë të daljes nga toka e Egjiptit, Zoti i foli Moisiut në shkretëtirën e Sinait, në tendën e takimit e i tha: «Numërojeni tërë bashkësinë e Izraelit sipas klaneve e familjeve të etërve, duke shënuar një për një emrat e çdo mashkulli që është njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë. Ti dhe Aroni shënojini sipas njësive ushtarake. Me ju të jetë edhe prijësi i çdo fisi. Këta janë emrat e tyre: nga fisi i Rubenit, Elicuri, biri i Shedeurit; nga fisi i Simeonit, Shelumieli, biri i Curishadait; nga fisi i Judës, Nahshoni, biri i Aminadabit; nga fisi Isaharit, Netaneli, biri i Cuarit; nga fisi i Zabulonit, Eliabi, biri i Helonit; për bijtë e Jozefit: nga fisi i Efraimit, Elishamai, biri i Amihudit; nga fisi i Manaseut, Gamalieli, biri i Pedahcurit; nga fisi i Benjaminit, Abidani, biri i Gideonit; nga fisi i Danit, Ahiezeri, biri i Amishadait; nga fisi i Asherit, Pagieli, biri i Okranit; nga fisi i Gadit, Eliasafi, biri i Deuelit; dhe nga fisi i Neftaliut, Ahirai, biri i Enanit». Këta u përzgjodhën nga bashkësia e ishin prijës të fiseve përkatëse e kryetarë të shtëpive të Izraelit. Moisiu e Aroni i morën me vete këta burra që ishin caktuar me emër. Në ditën e parë të muajit të dytë, ata mblodhën tërë bashkësinë dhe shënuan, sipas klaneve e familjeve të etërve, emrat e kujtdo që ishte njëzet vjeç e sipër. Atëherë Moisiu i shënoi në shkretëtirën e Sinait ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën dyzet e gjashtë mijë e pesëqind. Bijtë e Simeonit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind. Bijtë e Gadit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë. Bijtë e Judës, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën shtatëdhjetë e katër mijë. Bijtë e Isaharit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën pesëdhjetë e katër mijë e katërqind. Bijtë e Zabulonit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind. Bijtë e Jozefit, nga bijtë e Efraimit sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën dyzet mijë e pesëqind. Nga bijtë e Manaseut, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën tridhjetë e dy mijë e dyqind. Bijtë e Benjaminit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën tridhjetë e pesë mijë e katërqind. Bijtë e Danit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind. Bijtë e Asherit, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar me emër, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën dyzet e një mijë e pesëqind. Bijtë e Neftaliut, sipas breznive, klaneve e familjeve të etërve, tërë meshkujt e shënuar, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, dolën pesëdhjetë e tre mijë e katërqind. Ky është regjistri që u përpilua nga Moisiu, Aroni dhe prijësit e Izraelit. Ata ishin dymbëdhjetë, një përfaqësues për çdo fis. Numri i tërë izraelitëve, sipas familjeve të etërve, njëzet vjeç e sipër, në moshë për luftë, doli gjashtëqind e tri mijë e pesëqind e pesëdhjetë. Fisi i levitëve nuk u regjistrua bashkë me ta, sepse Zoti i kishte thënë Moisiut: «Mos e numëro fisin e Levit e mos e përfshi në numërimin e izraelitëve. Ata caktoji përgjegjës për tendën e dëshmisë dhe për gjithçka që është në të. Ata do të mbartin tendën dhe tërë enët përkatëse. Do të shërbejnë në tendë e do të banojnë përreth saj. Kur tenda të ngrihet për udhë apo të ngulet në fushim, do të jenë levitët ata që do ta bëjnë gati. Kushdo tjetër që i afrohet do të vdesë. Izraelitët të fushojnë sipas fushimeve dhe njësive të veta. Ndërsa levitët të fushojnë përreth tendës së dëshmisë, që ta ruajnë atë e që zemërimi i Zotit të mos ndizet kundër bashkësisë së izraelitëve». Izraelitët bënë gjithçka ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Izraelitët të fushojnë sipas njësive, secili nën emblemën e familjes së etërve. Të fushojnë me kah nga tenda e takimit dhe përreth saj. Në krahun lindor, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Judës. Prijësi i pasardhësve të Judës është Nahshoni, biri i Aminadabit. Ushtria e tij numëron shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind veta. Ushtria e tij numëron pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind veta. Kështu, tërë fushimi i Judës, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind veta. Ata të nisen të parët. Në krahun jugor, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Rubenit. Prijësi i pasardhësve të Rubenit është Elicuri, biri i Shedeurit. Ushtria e tij numëron dyzet e gjashtë mijë e pesëqind veta. Ushtria e tij numëron dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë veta. Kështu, tërë fushimi i Rubenit, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e pesëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë veta. Ata të nisen të dytët. Pastaj të niset, në mes të fushimeve, tenda e takimit dhe fushimi i levitëve. Secili të jetë në vendin e tij, në njësinë përkatëse, si në udhëtim ashtu, edhe në fushim. Në krahun perëndimor, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Efraimit. Prijësi i pasardhësve të Efraimit është Elishamai, biri i Amihudit. Ushtria e tij numëron dyzet mijë e pesëqind veta. Ushtria e tij numëron tridhjetë e pesë mijë e katërqind veta. Kështu, tërë fushimi i Efraimit, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e tetë mijë e njëqind veta. Ata të nisen të tretët. Në krahun verior, të fushojë sipas njësive ushtarake, njësia e Danit. Prijësi i pasardhësve të Danit është Ahiezeri, biri i Amishadait. Ushtria e tij numëron gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind veta. Ushtria e tij numëron pesëdhjetë e tre mijë e katërqind veta. Kështu, tërë fushimi i Danit, sipas njësive ushtarake, numëron njëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind veta. Ata të nisen të fundit». Ky është regjistri i izraelitëve sipas familjeve të etërve. Tërë fushimi i izraelitëve, sipas njësive ushtarake numëroi gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë veta. Levitët nuk u përfshinë në numërimin e izraelitëve ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Kështu, izraelitët bënë gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut. Secili fushoi e udhëtoi sipas njësive përkatëse e sipas klaneve të familjeve të etërve. Këta janë pasardhësit e Aronit dhe Moisiut, në kohën kur Zoti foli me Moisiun në malin e Sinait. Këta janë emrat e bijve të Aronit: Nadabi, i parëlinduri, Abihui, Eleazari e Itamari. Këta janë emrat e bijve të Aronit. Ata janë priftërinj të vajosur e të shuguruar për shërbesë. Por Nadabi e Abihui vdiqën para Zotit kur i kushtuan zjarr të palejueshëm në shkretëtirën e Sinait. Ata nuk patën fëmijë, prandaj Eleazari e Itamari shërbyen si priftërinj gjatë kohës së Aronit, atit të tyre. Zoti i tha Moisiut: «Paraqite fisin e Levit para priftit Aron, që t'i shërbejë. Ata të kujdesen për shërbesën e Aronit e për shërbesën e tërë bashkësisë para tendës së takimit duke shërbyer në të. Të kujdesen për tërë enët e tendës së takimit dhe për shërbesën e izraelitëve duke shërbyer në tendë. Kushtoja levitët Aronit e bijve të tij. Nga izraelitët, levitët janë ata që i kushtohen krejtësisht Aronit. Aronin e bijtë e tij caktoji që të shërbejnë si priftërinj. Kushdo tjetër që afrohet do të vdesë». Zoti foli me Moisiun e i tha: «Sa për mua, ja, i mora levitët nga mesi i izraelitëve në vend të çdo fryti të parë të barkut. Ata më përkasin mua. Mua më përket çdo i parëlindur, sepse kur godita tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, të parëlindurit në Izrael, si të njerëzve, ashtu edhe të kafshëve, ia kushtova vetes. Prandaj ata më përkasin mua, Zotit ». Zoti foli me Moisiun në shkretëtirën e Sinait e i tha: «Numëro levitët sipas familjeve të etërve e klaneve. Numëro çdo mashkull që është njëmuajsh e sipër». Kështu, Moisiu i numëroi sipas urdhrit që Zoti i kishte dhënë. Këta ishin emrat e bijve të Levit: Gershoni, Kohati e Merari. Këta ishin emrat e bijve të Gershonit sipas klaneve: Libniu e Shimei. Bijtë e Kohatit, sipas klaneve, ishin Amrami, Ichari, Hebroni dhe Uzieli. Bijtë e Merarit, sipas klaneve, ishin, Mahliu e Mushiu. Këto ishin klanet e levitëve sipas familjeve të etërve. Klani i Libniut e i Shimeit rridhnin nga Gershoni. Ato ishin klane gershonite. Regjistri i tyre numëronte shtatë mijë e pesëqind meshkuj njëmuajsh e sipër. Gershonitët fushonin mbrapa tendës, në krahun perëndimor. Prijësi i tyre ishte Eliasafi, biri i Laelit. Në tendën e takimit, ata kujdeseshin për vetë tendën, mbulesën e saj, perden e hyrjes së tendës së takimit, perden e hyrjes së oborrit, pëlhurat e oborrit që rrethojnë tendën e altarin, bashkë me litarët dhe gjithçka tjetër lidhur me to. Klani i Amramit, i Icharit, i Hebronit e i Uzielit rridhnin nga Kohati. Ato ishin klane kohatite dhe numëronin tetë mijë e gjashtëqind meshkuj njëmuajsh e sipër. Ata kujdeseshin për shenjtëroren. Kohatitët fushonin në krahun jugor të tendës. Prijësi i tyre ishte Elicafani, biri i Uzielit. Ata kujdeseshin për arkën, tryezën, shandanin, altarët, tërë enët e shenjtërores që përdoren gjatë shërbesës, velin dhe gjithçka tjetër lidhur me to. Kryeprijësi i levitëve ishte Eleazari, biri i priftit Aron. Ai mbikëqyrte ata që kujdeseshin për shërbesën e shenjtërores. Klani i Mahliut e i Mushiut rridhnin nga Merari. Ato ishin klane merarite. Regjistri i tyre numëronte gjashtë mijë e dyqind meshkuj njëmuajsh e sipër. Prijësi i tyre ishte Curieli, biri i Abihajlit. Ata fushonin në krahun verior të tendës. Meraritët kujdeseshin për dërrasat e tendës bashkë me traversat, shtyllat, bazat, tërë mjetet përkatëse dhe gjithçka tjetër lidhur me to. Ata kujdeseshin edhe për shtyllat përreth oborrit bashkë me bazat, kunjat dhe litarët. Moisiu, Aroni dhe bijtë e tij, fushonin para tendës, në lindje të tendës së takimit. Ata kujdeseshin për shërbesën e shenjtërores dhe ruanin izraelitët, sepse kushdo tjetër që afrohej vdiste. Regjistri i tërë levitëve sipas klaneve, që Moisiu përpiloi sipas urdhrit të Zotit, numëronte njëzet e dy mijë meshkuj njëmuajsh e sipër. Zoti i tha Moisiut: «Numëro çdo të parëlindur mashkull të izraelitëve që është njëmuajsh e sipër dhe llogarit numrin e tyre. M'i kushto mua, Zotit, levitët bashkë me kafshët e tyre në vend të të parëlindurve të izraelitëve e të të parëlindurve të kafshëve të tyre». Kështu, Moisiu i numëroi tërë të parëlindurit e izraelitëve ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. Numri i tërë të parëlindurve meshkuj të shënuar me emër, njëmuajsh e sipër, u llogarit njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre. Zoti i tha Moisiut: «Kushtoi levitët në vend të të parëlindurve të izraelitëve dhe kafshët e tyre në vend të kafshëve të izraelitëve. Levitët më përkasin mua, Zotit. Ndërsa për shpagimin e dyqind e shtatëdhjetë e tre të parëlindurve të izraelitëve, që janë më shumë se levitët, merr për kokë pesë sikla argjendi që është e barabartë me gjashtëdhjetë gramë sipas peshës së shenjtërores. Argjendin e mbledhur nga shpagimi jepja Aronit e bijve të tij». Kështu, Moisiu e mblodhi argjendin e shpagimit nga personat që ishin mbi numrin e të shpaguarve nga levitët. Nga të parëlindurit e izraelitëve mori një mijë e treqind e pesëdhjetë e pesë sikla argjendi, sipas peshës së shenjtërores. Pastaj ia dha Aronit e bijve të tij sipas kërkesës së Zotit, siç e kishte urdhëruar ai. Zoti foli me Moisiun e me Aronin e u tha: «Numëroji kohatitët më vete, sipas klaneve e familjeve të etërve, tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. Në tendën e takimit ata do të kujdesen për sendet më të shenjta. Kur të niseni për udhë, Aroni e bijtë e tij të shkojnë për të hequr velin që të mbulojnë me të arkën e dëshmisë. Ta mbulojnë me lëkurë të çmuar dhe sipër tyre të shtrijnë një mbulesë të tërën ngjyrë vjollcë. Pastaj të vënë shufrat. Të shtrijnë një mbulesë ngjyrë vjollcë edhe mbi tryezën e paraqitjes së bukës. Të vendosin mbi të tasat, kupat, brokat dhe kanat që përdoren për fli stërpikjeje bashkë me bukën që kushtohet përherë. Atëherë të shtrijnë një mbulesë me ngjyrë të kuqe të ndezur. Atë ta mbulojnë me lëkurë të çmuar dhe pastaj të vënë shufrat. Të marrin një mbulesë ngjyrë vjollcë e të mbulojnë me të shandanin që ndriçon, llambat, mashat, kacitë dhe gjithë enët e vajit me të cilat shërbejnë. Këto t'i mbështjellin me lëkurë të çmuar dhe t'i vendosin në një mbajtëse. Altarin e artë ta mbulojnë me një mbulesë ngjyrë vjollcë, pastaj ta mbështjellin me lëkurë të çmuar e të vënë shufrat. Të gjitha enët me të cilat shërbejnë në shenjtërore, t'i mbulojnë me një mbulesë ngjyrë vjollcë, pastaj t'i mbështjellin me lëkurë të çmuar e t'i vendosin në një mbajtëse. Altarin, ta pastrojnë nga hiri dhe të shtrijnë mbi të një mbulesë me ngjyrë të purpurt. Mbi të, të vendosin tërë enët e altarit me të cilat shërbejnë, kacitë, pirunët, terplotet, kovat dhe ta mbështjellin me lëkurë të çmuar dhe pastaj të vënë shufrat. Kur të niseni për udhë, kohatitët do t'i mbartin këto vetëm pasi Aroni me bijtë e tij të përfundojnë së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj. Prandaj, ata nuk do t'i prekin që të mos vdesin. Këto do të mbartin kohatitët nga tenda e takimit. Eleazari, biri i priftit Aron, të jetë përgjegjës për vajin e ndriçimit, temjanin erëkëndshëm, flinë e drithit që kushtohet përherë dhe vajin e vajosjes. Ai të jetë përgjegjës për tërë tendën dhe për gjithçka që është në të, si në shenjtërore, edhe për orenditë përkatëse». Zoti foli me Moisiun e Aronin e u tha: «Mos lejoni që klanet e kohatitëve të shuhen nga mesi i levitëve. Kështu veproni me ta, që të mos vdesin, por të jetojnë kur t'u afrohen sendeve më të shenjta: Aroni e bijtë e tij të shkojnë e të caktojnë punën dhe barrën e secilit, ndërsa kohatitët të mos hyjnë brenda, as për të parë kalimthi sendet e shenjta, përndryshe do të vdesin». Zoti foli me Moisiun e i tha: «Numëroji edhe gershonitët sipas familjeve të etërve e klaneve. Numëro tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. Këto janë sendet që gershonitët do të mbartin gjatë shërbesës së tyre: pëlhurat e tendës, tendën e takimit, mbulesat e saj, mbulesat me lëkurë të çmuar që janë mbi të, perden e hyrjes së tendës së takimit, pëlhurat e oborrit, perden e hyrjes së oborrit që rrethon tendën dhe altarin, litarët dhe tërë pajisjet përkatëse. Ata të kujdesen për gjithçka që lidhet me to. Gershonitët të bëjnë e të mbartin çdo gjë sipas urdhrit të Aronit e bijve të tij. Ju do t'ua caktoni si detyrë çdo gjë që do të mbartin. Kjo do të jetë shërbesa e gershonitëve në tendën e takimit. Ata do të shërbejnë nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron. Numëroji edhe meraritët sipas klaneve e familjeve të etërve. Numëro tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. Këto janë sendet që kanë për detyrë të mbartin gjatë shërbesës së tyre në tendën e takimit: shtyllat përreth oborrit, bazat, kunjat, litarët, tërë pajisjet përkatëse e çdo gjë tjetër lidhur me to. Caktoni me emër çdo send që kanë për detyrë të mbartin. Kjo do të jetë shërbesa e meraritëve në tendën e takimit. Ata do të shërbejnë nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron». Kështu, Moisiu, Aroni e prijësit e bashkësisë i numëruan kohatitët sipas klaneve e familjeve të etërve. Lista e atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë veta sipas klaneve. Ky ishte regjistri i tërë kohatitëve, që shërbenin në tendën e takimit, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të Zotit dhënë përmes Moisiut. Regjistri i gershonitëve, sipas klaneve e familjeve të etërve, i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë veta sipas klaneve e familjeve të etërve. Ky ishte regjistri i tërë gershonitëve, që shërbenin në tendën e takimit, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të Zotit. Regjistri i meraritëve, sipas klaneve e familjeve të etërve, i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte tre mijë e dyqind veta sipas klaneve. Ky ishte regjistri i meraritëve, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të Zotit dhënë përmes Moisiut. Kështu, regjistri i tërë levitëve, përpiluar nga Moisiu, Aroni e prijësit e Izraelit, sipas klaneve e familjeve të etërve, i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë veta. Ata u regjistruan një më një nga Moisiu, nën drejtimin e Zotit, sipas shërbesave e detyrave përkatëse. Regjistri u përpilua siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Zoti foli me Moisiun e i tha: «Urdhëroji izraelitët të dëbojnë nga fushimi këdo që vuan nga sëmundje lëkure, rrjedhje fareci dhe këdo që është i papastër për shkak se ka prekur ndonjë kufomë. Përjashtoji nga fushimi, si meshkujt, ashtu edhe femrat, që të mos e përdhosin fushimin ku unë banoj». Dhe izraelitët kështu vepruan. I përjashtuan nga fushimi. Izraelitët bënë ashtu siç Zoti i kishte thënë Moisiut. Zoti foli me Moisiun e i tha: «Thuaju izraelitëve: kur një burrë apo një grua mëkaton kundër një tjetri dhe si pasojë shkel besën e Zotit e bie në faj, të rrëfejë mëkatet që ka bërë e të paguajë dëmshpërblim për to. T'i shtojë dëmshpërblimit një të pestën e shumës dhe t'ia japë atij që ka dëmtuar. Nëse nuk ka njeri që ta marrë shpagimin, ai t'i jepet Zotit e t'i përkasë priftit, bashkë me dashin e flisë së shlyerjes së mëkatit që do të kushtohet për të shlyer mëkatin. Çdo dhuratë e shenjtë që izraelitët i paraqesin priftit do t'i përkasë atij. Dhurata e shenjtë e secilit do t'i përkasë priftit dhe çdo gjë që do t'i jepet do të jetë e tij». Zoti foli me Moisiun e i tha: «Thuaju izraelitëve: kur gruaja e dikujt dredhon nga i shoqi, e tradhton atë, dhe me të fle fshehurazi dikush tjetër pa e marrë vesh i shoqi që ajo ka përdhosur veten, nëse nuk ka asnjë dëshmitar dhe ajo nuk kapet në aktin e tradhtisë, por të shoqin e bren xhelozia e dyshon se gruaja e ka përdhosur veten, atëherë i shoqi ta sjellë para priftit. Bashkë me të, të sjellë edhe një kilogram miell elbi për fli. Të mos derdhë vaj as temjan mbi të, sepse është fli drithi xhelozie që kushtohet për të përkujtuar fajin. Prifti ta paraqesë gruan para Zotit. Pastaj prifti të marrë ujë të shenjtë në një enë balte. Të marrë edhe pluhur nga trualli i tendës e ta shtjerë në ujë. Pasi e paraqet gruan para Zotit, prifti t'ia lëshojë flokët dhe në duart e saj të vendosë flinë përkujtimore të drithit, flinë e xhelozisë. Prifti të mbajë në dorë ujin e hidhur të mallkimit. Pastaj t'i kërkojë të betohet e t'i thotë: “Nëse nuk fjeti me ty ndonjë tjetër dhe nëse nuk dredhove nga yt shoq, atëherë ky ujë i hidhur i mallkimit nuk do të të bëjë dëm. Por, nëse i dredhove tët shoqi dhe e përdhose veten duke fjetur me dikë tjetër përveç tët shoqi”, këtu prifti ta vërë gruan të betohet me një nëmë mallkimi e t'i thotë: “ Zoti të bëftë mes popullit një emnesë nëme e mallkimi kur të t'i thajë ijët e të ta ënjtë barkun. U përhaptë uji i mallkimit brenda teje! Ta ënjttë barkun e t'i thaftë ijët!”. Atëherë gruaja të përgjigjet: “Amen! Amen!”. Prifti t'i shkruajë nëmët e pastaj t'i tresë ato në ujin e hidhur. T'ia japë gruas për ta pirë që uji i hidhur i mallkimit të hyjë brenda saj. Prifti t'ia marrë gruas flinë e xhelozisë, t'ia kushtojë Zotit si fli lartësimi e ta sjellë tek altari. Atëherë ai të marrë një grusht miell nga flija e përkujtimit e ta djegë në altar. Pastaj t'i japë gruas ujin për ta pirë. Pasi ta ketë pirë, uji i hidhur i mallkimit do të hyjë brenda saj dhe nëse ajo e ka përdhosur veten duke e tradhtuar të shoqin, uji do t'ia ënjtë barkun e do t'ia thajë ijët. Kështu ajo do të bëhet mes popullit një emnesë nëme. Por, nëse ajo është e pastër dhe nuk e ka përdhosur veten, uji nuk do t'i bëj dëm dhe ajo do jetë në gjendje të lindë fëmijë. Ky është ligji në lidhje me xhelozinë, kur gruaja dredhon nga i shoqi dhe përdhos veten ose kur të shoqin e bren xhelozia e dyshon për të. Prifti të paraqesë gruan para Zotit e të veprojë me të sipas këtij ligji. I shoqi do të jetë i pafajshëm, ndërsa e shoqja do të mbajë fajin e vet». Zoti foli me Moisiun e i tha: «Fol me izraelitët e thuaju: çdo burrë ose grua që zotohet se do t'i kushtohet Zotit si nazireas, të heqë dorë nga vera e pijet e forta, të mos pijë uthull vere e as uthull pijesh të forta, të mos pijë lëng rrushi e të mos hajë rrush të freskët e as të thatë. Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, të mos hajë asgjë që bëhet nga vreshti, as nga fara, as nga lëkura. Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, të mos e rruajë kokën. Derisa të përmbushen ditët e kushtit si nazireas, ai do të jetë i shenjtë e do t'i rrisë flokët. Gjatë gjithë kohës që i është kushtuar Zotit si nazireas, të mos i afrohet asnjë kufome, qoftë kufomës së të atit, të së ëmës, të të vëllait apo të së motrës. Të mos e përdhosë veten, sepse në kokë mban shenjën që i është kushtuar Perëndisë. Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, do të jetë i shenjtë për Zotin. Por, nëse dikush vdes papritur pranë tij e si pasojë përdhos kryet që ka kushtuar si nazireas, atëherë ta rruajë kokën pas shtatë ditësh, në ditën e pastrimit. Të tetën ditë t'i sjellë priftit te hyrja e tendës së takimit dy turtuj ose dy pëllumba. Prifti ta kushtojë njërën si fli mëkati e tjetrën si fli shkrumbimi që ta shlyejë nga mëkati për shkak të kufomës. Po atë ditë do të shenjtërojë kryet. Atëherë t'i kushtohet sërish Zotit për t'i përmbushur ditët e kushtit si nazireas. Të sjellë një qengj motak si fli faji, por ditët që ka bërë deri në atë kohë si nazireas nuk do t'i njihen, sepse u përdhos. Ky është ligji për nazireasin. Kur të përmbushen ditët e kushtit, nazireasi të paraqitet para hyrjes së tendës së takimit. T'i kushtojë Zotit një qengj motak të patëmetë si fli shkrumbimi, një rrunëz të patëmetë si fli mëkati, një dash të patëmetë si fli paqtimi dhe një shportë me bukë, kuleç e pite të ndorme e të lyera me vaj bashkë me flinë e drithit e të stërpikjes. Atëherë prifti t'ia paraqesë Zotit e t'i kushtojë si fli mëkati e fli shkrumbimi. Dashin bashkë me shportën e të ndormeve t'ia kushtojë Zotit si fli paqtimi. Prifti të kushtojë edhe flinë e drithit e të stërpikjes. Atëherë nazireasi ta rruajë kokën te hyrja e tendës së takimit e pastaj t'i hedhë flokët e prera në zjarrin që djeg flinë e paqtimit. Prifti të marrë shpatullën e zier të dashit, një kulaç e një pite të ndorme nga shporta e t'ia vërë në dorë nazireasit pasi ai të jetë rruar. Pastaj prifti t'i ngrejë lart si fli lartësimi para Zotit. Kjo pjesë i përket priftit bashkë me gjoksin që kushtohet si fli lartësimi dhe kofshën që ngrihet lart. Pas kësaj, nazireasi mund të pijë verë. Ky është ligji për atë që zotohet si nazireas. Kjo është flija që do t'i kushtojë Zotit për kushtin e tij, por nëse zotohet të bëjë më shumë, atëherë të veprojë, siç premtoi, në përkim me ligjin e kushtit të nazireasit». Zoti foli me Moisiun e i tha: «Fol me Aronin e bijtë e tij e thuaju: kështu do t'i bekoni izraelitët: Zoti të bekoftë e të ruajttë! Zoti e ndriçoftë fytyrën e tij mbi ty e pastë mëshirë për ty! Zoti e ktheftë fytyrën e tij te ti e të dhëntë paqe! Kështu, ata do ta thërrasin emrin tim mbi izraelitët dhe unë do t'i bekoj». Pasi përfundoi së ndërtuari tendën, Moisiu e vajosi dhe e shenjtëroi bashkë me tërë orenditë përkatëse, me altarin dhe me enët përkatëse. Atëherë prijësit e Izraelit, ata që u përmendën në numërimin e popullsisë si krerë të familjeve të etërve e prijës të fiseve, i flijuan Zotit gjashtë qerre të mbuluara dhe dymbëdhjetë qe. Një qerre për çdo dy prijës dhe një ka për secilin. Këto i sollën para tendës. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Merri prej tyre që të përdoren në shërbim të tendës së takimit e jepua levitëve sipas detyrës që kanë». Kështu, Moisiu i mori qerret dhe qetë e ua dha levitëve. Gershonitëve u dha dy qerre dhe katër qe, sipas detyrave që kishin. Meraritëve u dha katër qerre dhe tetë qe, sipas detyrave që kishin nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron. Kohatitëve nuk u dha gjë, sepse ata kujdeseshin për gjërat e shenjta duke i mbartur në krahë. Në ditën kur u vajos altari, prijësit sollën para altarit dhurata për kushtimin e tij. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Prijësit të kushtojnë me rradhë, çdo ditë nga një prijës». Ditën e parë kushtoi Nahshoni, biri i Aminadabit nga fisi i Judës. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Nahshoni, biri i Aminadabit. Ditën e dytë kushtoi Netaneli, biri i Cuarit, prijësi i Isaharit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Netaneli, biri i Cuarit. Ditën e tretë kushtoi Eliabi, biri i Helonit, prijësi i Zabulonit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Eliabi, biri i Helonit. Ditën e katërt kushtoi Elicuri, biri i Shedeurit, prijësi i Rubenit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Elicuri, biri i Shedeurit. Ditën e pestë kushtoi Shelumieli, biri i Curishadait, prijësi i Simeonit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Shelumieli, biri i Curishadait. Ditën e gjashtë kushtoi Eliasafi, biri i Deuelit, prijësi i Gadit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Eliasafi, biri i Deuelit. Ditën e shtatë kushtoi Elishamai, biri i Amihudit, prijësi i Efraimit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Elishamai, biri i Amihudit. Ditën e tetë kushtoi Gamalieli, biri i Pedahcurit, prijësi i Manaseut. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Gamalieli, biri i Pedahcurit. Ditën e nëntë kushtoi Abidani, biri i Gideonit, prijësi i Benjaminit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Abidani, biri i Gideonit. Ditën e dhjetë kushtoi Ahiezeri, biri i Amishadait, prijësi i Danit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Ahiezeri, biri i Amishadait. Ditën e njëmbëdhjetë kushtoi Pagieli, biri i Okranit, prijësi i Asherit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Pagieli, biri i Okranit. Ditën e dymbëdhjetë kushtoi Ahirai, biri i Enanit, prijësi i Neftaliut. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Ahirai, biri i Enanit. Këto ishin dhuratat për kushtimin e altarit që u kushtuan nga prijësit e Izraelit në ditën kur u vajos altari: dymbëdhjetë pjata të argjendta, dymbëdhjetë kupa të argjendta dhe dymbëdhjetë tasa të artë. Çdo pjatë e argjendtë peshonte një kilogram e gjysmë dhe çdo kupë tetëqind gramë. Tërë enët e argjendta peshonin gjithsej njëzet e shtatë kilogramë e gjashtëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. Çdo tas i artë i mbushur me temjan peshonte njëqind e dhjetë gramë sipas peshës së shenjtërores. Tërë tasat e artë peshonin gjithsej një kilogram e treqind e njëzet gramë. Numri i kafshëve për fli shkrumbimi ishte dymbëdhjetë dema, dymbëdhjetë desh, dymbëdhjetë qengja motakë bashkë me flinë e drithit dhe dymbëdhjetë cjep për fli mëkati. Numri i kafshëve për fli paqtimi ishte njëzet e katër dema, gjashtëdhjetë desh, gjashtëdhjetë cjep e gjashtëdhjetë qengja motakë. Këto ishin dhuratat për kushtimin e altarit që u kushtuan në ditën kur u vajos altari. Kur Moisiu hynte në tendën e takimit për të folur me Zotin, dëgjonte zërin që i fliste nga mesi i dy kerubëve, nga pajtimorja që ishte mbi arkën e dëshmisë. Kështu i fliste Zoti. Zoti foli me Moisiun e i tha: «Thuaji Aronit t'i vërë të shtatë llambat që të ndriçojnë para shandanit». Aroni veproi ashtu e i vuri llambat para shandanit, siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. Shandani i artë ishte farkëtuar që nga baza deri te fletët, sipas gjedhes që Zoti i kishte dëftuar Moisiut. Zoti i foli Moisiut e i tha: «Merri levitët prej izraelitëve e pastroji kështu: spërkati me ujin e pastrimit. Trupin ta rruajnë e rrobat t'i lajnë, që të jenë të pastër. Pastaj të marrin një dem e majë mielli të përzier me vaj për flinë e drithit. Ti merr një dem të dytë për flinë e mëkatit. Atëherë silli levitët para tendës së takimit e mblidh tërë bashkësinë e izraelitëve. Kur t'ia paraqesësh levitët Zotit, izraelitët të vënë duart mbi ta. Atëherë Aroni t'i kushtojë levitët para Zotit si fli lartësimi të kushtuar nga izraelitët. Pastaj levitët të vënë duart mbi kryet e demave. Njëri dem t'i kushtohet Zotit si fli mëkati dhe tjetri si fli shkrumbimi për të kryer shlyerjen e mëkatit të levitëve. Nxirri levitët para Aronit e bijve të tij dhe kushtoja Zotit si fli lartësimi. Kështu do t'i veçosh levitët nga izraelitët dhe ata do të më përkasin mua. Pasi t'i kesh pastruar dhe kushtuar si fli lartësimi, levitët do të mund të hyjnë në tendën e takimit. Nga izraelitët, levitët janë ata që më janë kushtuar krejtësisht. Ata i kam marrë për vete në vend të çdo fryti të parë të barkut, të çdo të parëlinduri të izraelitëve. Mua më përket çdo i parëlindur i izraelitëve, i kafshëve dhe i njerëzve, sepse ditën kur godita tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, i kushtova për veten time. Levitët i mora në vend të çdo të parëlinduri të izraelitëve. Ia dhashë Aronit e bijve të tij si dhuratë prej izraelitëve që të shërbejnë në tendën e takimit në vend të popullit e që të shlyejnë izraelitët. Kështu izraelitët nuk do të dënohen me plagë kur t'i afrohen shenjtërores». Atëherë Moisiu, Aroni dhe tërë bashkësia e izraelitëve i kushtuan levitët. Izraelitët bënë gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut në lidhje me levitët. Pasi levitët u pastruan dhe i lanë rrobat, Aroni ia kushtoi Zotit si fli lartësimi dhe u bëri shlyerjen e mëkateve që të ishin të pastër. Më pas levitët hynë në tendën e takimit për të shërbyer para Aronit e bijve të tij. Ata vepruan ashtu siç Zoti i kishte urdhëruar Moisiut në lidhje me levitët. Zoti foli me Moisiun e i tha: «Sa për levitët, ata do të shërbejnë në tendën e takimit nga njëzet e pesë vjeç e sipër. Pasi të kenë mbushur pesëdhjetë vjeç nuk do të shërbejnë më. Atëherë do të mund të ndihmojnë vëllezërit që kujdesen për tendën e takimit, por nuk do të shërbejnë. Kështu do të veprosh me shërbesën e levitëve». Në muajin e parë të vitit të dytë të daljes nga toka e Egjiptit, Zoti foli me Moisiun në shkretëtirën e Sinait e i tha: «Izraelitët ta kremtojnë Pashkën në kohën e caktuar. Ta kremtojnë sipas tërë rregullave e dokeve në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të këtij muaji, se ajo është koha e caktuar». Atëherë Moisiu foli me izraelitët që të kremtojnë Pashkën. Kështu ata e kremtuan Pashkën në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të muajit të parë, ndërkohë që ishin në shkretëtirën e Sinait. Ata e kremtuan ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Disa njerëz ishin të papastër, sepse kishin prekur kufomë. Prandaj nuk e kremtuan dot Pashkën në ditën e caktuar. Po atë ditë erdhën para Moisiut e Aronit e u thanë: «Edhe pse jemi të papastër se kemi prekur kufomë, përse nuk na lejohet t'i kushtojmë fli Zotit në kohën e caktuar bashkë me izraelitët e tjerë?». Moisiu iu përgjigj: «Prisni sa të shoh se çfarë urdhëron Zoti për ju». Atëherë Zoti foli me Moisiun e i tha: «Kushdo nga izraelitët, si ju edhe breznitë e ardhshme, që është i papastër apo në udhëtim të largët, lejohet ta kremtojë Pashkën e Zotit. Do ta kremtojnë në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Të hanë bukë të ndorme e barishte të hidhura. Të mos lënë asgjë për të nesërmen e të mos ia thyejnë eshtrat qengjit. Ta kremtojnë Pashkën sipas tërë rregullave. Por, nëse dikush që është i pastër dhe nuk po udhëton, nuk e kremton Pashkën, të zhbihet prej popullit, sepse nuk i ka kushtuar fli Zotit në kohën e caktuar. Ai do të jetë fajtor për mëkatin e kryer. Nëse një i ardhur që banon me ju do të kremtojë Pashkën e Zotit, ta kremtojë sipas rregullave e riteve në fjalë. Do të keni një rregull, si për të ardhurin, edhe për vendasin». Ditën kur u ngrit tenda e dëshmisë, e mbuloi reja. Gjatë natës reja mbi tendë dukej si zjarr. Kështu ishte përherë. Reja e mbulonte dhe gjatë natës dukej si zjarr. Sa herë që reja ngrihej nga tenda, izraelitët niseshin për udhë dhe aty ku prehej reja, aty edhe fushonin. Ata niseshin për udhë ose fushonin sipas urdhrit të Zotit. Për sa kohë që reja prehej mbi tendë, ata fushonin. Edhe kur reja qëndronte mbi tendë për një kohë të gjatë, izraelitët e mbanin urdhrin e Zotit dhe nuk niseshin. E njëjta gjë ndodhte edhe kur reja qëndronte mbi tendë për pak ditë. Ata fushonin ose niseshin për udhë sipas urdhrit të Zotit. Ndodhte që reja qëndronte gjatë natës, por ngrihej në të gdhirë dhe izraelitët niseshin për udhë. Ditë ose natë, ata niseshin sa herë që reja ngrihej. E nëse reja prehej për dy ditë, një muaj ose një vit ata fushonin e nuk niseshin. Vetëm kur ngrihej reja niseshin. Izraelitët niseshin ose fushonin sipas urdhrit të Zotit. Ata e mbanin urdhrin e Zotit që jepej përmes Moisiut. Zoti i tha Moisiut: «Farkëto dy trumbeta të argjendta që të thërrasësh me to bashkësinë dhe të njoftosh nisjen për udhë. Kur t'u biesh dy trumbetave, tërë bashkësia të mblidhet te hyrja e tendës së takimit. Ndërsa kur t'i biesh njërës të mblidhen vetëm prijësit, krerët e familjeve të Izraelit. Nëse u bie fort të nisen për udhë ata që fushojnë në lindje dhe nëse u bie fort për së dyti të nisen ata që fushojnë në jug. Kur trumbetat bien fort njoftohet nisja për udhë. Për të mbledhur bashkësinë bjeru trumbetave, por jo fort. Trumbetave do t'u bien priftërinjtë, bijtë e Aronit. Ky është për ju dhe për breznitë e ardhshme një rregull i përhershëm. Kur të shkoni në luftë në tokën tuaj kundër armikut që ju sulmon, bjeruni trumbetave fort që të kujtoheni para Zotit, Perëndisë tuaj, e të fitoni kundër tyre. Kur festoni të kremtet dhe fillimin e muajve, bjeruni trumbetave që të shoqëroni flijimin e flive të shkrumbimit e të paqtimit. Kjo do të jetë si përkujtimore para Perëndisë tuaj. Unë, Zoti, jam Perëndia juaj». Në ditën e njëzet të muajit të dytë të vitit të dytë reja u ngrit nga tenda e dëshmisë. Izraelitët u nisën për udhë nga shkretëtira e Sinait dhe reja u preh në shkretëtirën e Paranit. Kjo ishte hera e parë që udhëtonin sipas radhës që Zoti i urdhëroi Moisiut. Në fillim nisej njësia e Judës sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Nahshoni, biri i Aminadabit. Netaneli, biri i Cuarit, i printe njësisë së fisit të Isaharit. Eliabi, biri i Helonit, i printe njësisë së fisit të Zabulonit. Pasi hiqej tenda, niseshin gershonitët e meraritët, mbajtësit e tendës. Pastaj nisej njësia e Rubenit sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Elicuri, biri i Shedeurit. Shelumieli, biri i Curishadait, i printe njësisë së fisit të Simeonit. Eliasafi, biri i Deuelit, i printe njësisë së fisit të Gadit. Pastaj niseshin kohatitët, mbajtësit e sendeve të shenjta. Ndërkohë ngrihej tenda përpara se ata të arrinin. Pastaj nisej njësia e Efraimit sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Elishamai, biri i Amihudit. Gamalieli, biri i Pedahcurit, i printe njësisë së fisit të Manaseut. Abidani, biri i Gideonit, i printe njësisë së fisit të Benjaminit. Në fund nisej njësia e Danit sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Ahiezeri, biri i Amishadait. Pagieli, biri i Okranit, i printe njësisë së fisit të Asherit. Ahirai, biri i Enanit, i printe njësisë së fisit të Neftaliut. Kështu renditeshin izraelitët kur udhëtonin sipas grupimeve ushtarake. Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuel Midianitit, të vjehrrit: «Po nisemi drejt vendit që Zoti tha se do të na e japë. Eja me ne! Do të tregohemi dashamirës me ty, se Zoti është treguar dashamirës me Izraelin». Ai u përgjigj: «Nuk do të vij me ju, sepse do të shkoj në vendlindjen time». Moisiu i tha: «Mos na braktis, sepse ti e di ku duhet të fushohet në shkretëtirë. Të kemi si sytë e ballit! Nëse vjen me ne do të të bëjmë pjesë të të mirave që Zoti do të na japë». U nisën nga mali i Zotit e udhëtuan tri ditë. Arka e besëlidhjes së Zotit u printe gjatë të tria ditëve që të gjente një vend për të fushuar. Reja e Zotit rrinte përditë mbi ta sa herë që niseshin nga fushimi. Sa herë që arka nisej për udhë, Moisiu thoshte: «Dil, o Zot, e armiqtë e tu u shpërndafshin, ata që të urrejnë këmbëve ua mbathshin». E kur fushonte thoshte: «Kthehu, o Zot, te qindra mijërat e Izraelit». Populli murmuriti ligësisht kundër Zotit. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre dhe zjarri i zemërimit të tij përpiu skajet e fushimit. Populli i thirri Moisiut. Ai iu lut Zotit e zjarri u shua. Kështu, ai vend u quajt Taberah, sepse atje zjarri i Zotit u ndez kundër tyre. Gjindjen e huaj që ishte me popullin e Izraelit e kapi grykësia. Atyre iu bashkuan edhe izraelitët e filluan të qahen sërish: «Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ende na kujtohet peshku që hanim falas në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët e hudhrat. Por tani, na është tharë barku e s'na shohin sytë gjë tjetër veç manës!». Mana ishte si fara e koriandrës, nga ngjyra i ngjante bdelit. Populli dilte anembanë, e mblidhte, e bluante në mokër ose e shtypte në havan. Pastaj e ziente në kusi dhe e bënte kulaç. Shijen e kishte si kulaçi me vaj. Kur binte vesa e natës në fushim, binte edhe mana. Moisiu dëgjoi si qahej populli, çdo familje e çdo njeri, në tendën e vet. Zoti u zemërua shumë dhe Moisiu u mërzit. Atëherë Moisiu i tha Zotit: «Përse e mundon shërbëtorin tënd? Përse nuk gjeta hir para teje, që ma ngarkove si barrë tërë këtë popull? Mos e ngjiza dhe e polla unë tërë këtë popull që të më thuash mbaje në gji ashtu siç e mban mëndesha foshnjën, deri sa të arrijë në vendin që iu premtove etërve të tij? Ku ta gjej mishin për tërë këtë popull që më qahet e më thotë: “Na jep mish për të ngrënë!”? Unë s'e mbaj dot vetëm barrën e tërë këtij populli, sepse është tepër e rëndë për mua. Po u solle kështu me mua, vritmë një herë e mirë në më do, që të mos e shoh më mjerimin tim». Zoti i tha Moisiut: «Më mblidh shtatëdhjetë burra nga pleqtë e Izraelit që i njeh si të tillë dhe silli te tenda e takimit. Të paraqiten atje bashkë me ty. Atje do të zbres edhe unë e do të flas me ty. Do t'u jap shpirtin që është në ty edhe të shtatëdhjetë burrave, që të mbajnë barrën e popullit bashkë me ty. Kështu, nuk do ta mbash barrën vetëm. Popullit thuaji: “Nesër shenjtërohuni, se do të hani mish. Zoti do t'ju japë mish për të ngrënë, sepse u qatë para tij e thatë: ‘Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim mirë në Egjipt!’. Do të hani mish jo vetëm për një, dy, pesë, dhjetë apo njëzet ditë, por për tërë muajin derisa t'ju vijë në majë të hundës e t'ju neveritet, sepse e përbuzët Zotin që është mes jush kur iu qatë e i thatë: ‘Përse dolëm nga Egjipti?’”». Por Moisiu i tha: «Populli që është me mua ka gjashtëqind mijë këmbësorë e ti thua se do t'u japësh për të ngrënë mish për një muaj?! A thua qetë e dhentë apo tërë peshqit e detit do të mjaftojnë për ta?». Zoti i tha Moisiut: «Mos i është tharë dora Zotit?! Tani do të shohësh nëse fjala ime do të plotësohet apo jo». Moisiu doli dhe i tregoi popullit fjalët e Zotit. Pastaj mblodhi shtatëdhjetë burra nga pleqtë e popullit dhe i vendosi përreth tendës. Atëherë Zoti zbriti në re, foli me Moisiun dhe u dha shtatëdhjetë pleqve shpirtin që ishte në Moisiun. Kur shpirti u preh mbi ta, ata filluan të profetizojnë, por kjo nuk u përsërit më. Dy nga pleqtë qëndruan në fushim. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Ata ishin përzgjedhur, por nuk kishin shkuar te tenda. Megjithatë, shpirti u preh edhe mbi ta e ata filluan të profetizojnë në fushim. Një djalosh vrapoi dhe i tregoi Moisiut: «Eldadi e Medadi po profetizojnë në fushim». Atëherë, Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Moisiut që në rini, i tha Moisiut: «Imzot, ndaloji!». Moisiu iu përgjigj: «Pse ke smirë? Ah, sikur tërë populli i Zotit të profetizonte dhe Zoti t'u jepte shpirtin e tij!». Pastaj Moisiu dhe pleqtë e Izraelit u kthyen në fushim. Atëherë me urdhër të Zotit u ngrit një erë që mbarti shkurta nga deti dhe i solli në fushim. Shkurtat mbuluan një sipërfaqe sa dy kute mbi tokë dhe sa një dite udhë, anembanë fushimit. Populli u çua dhe tërë ditën e tërë natën, madje edhe të nesërmen, mblodhi shkurta. Ai që mblodhi më pak kishte një mijë kilogramë. Pastaj i shtrinë përreth fushimit. Pa e përtypur mirë mishin, u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit dhe i goditi shumë rëndë. Prandaj dhe vendi u quajt Kibrot Hatavah, sepse atje u varrosën grykësit. Populli u nis nga Kibrot Hatavahu e mbërriti në Hacerot. Mirjama e Aroni folën kundër Moisiut për shkak të gruas kushite që kishte marrë. Ata thanë: «A thua Zoti ka folur vetëm përmes Moisiut? A nuk ka folur edhe përmes nesh?». Zoti i dëgjoi. Moisiu ishte njeri shumë i përulur, më i përuluri ndër tërë njerëzit mbi faqen e dheut. Zoti foli menjëherë me Moisiun, Aronin e Mirjamën e u tha: «Ejani të tre në tendën e takimit». Ata shkuan të tre. Atëherë Zoti zbriti në shtyllën e resë dhe qëndroi në hyrje të tendës. Ai thirri Aronin e Mirjamën. Ata shkuan të dy. Zoti u tha: «Dëgjoni fjalët e mia! Profetit të Zotit mes jush i dëftehem në vegim, në ëndërr i flas. Me Moisiun, shërbëtorin tim, nuk sillem kështu. Tërë shtëpia ime i besohet atij. Goja-gojës flas me të, hapur e jo me gjëza. Pamjen e Zotit ai vështron. Frikë si nuk patët, pra, kundër Moisiut, shërbëtorit tim, të flisnit?». Zoti u zemërua me ta e u largua. Kur reja u largua nga tenda, Mirjamën e zuri lebra. Lëkura e saj u bë e bardhë si bora. Aroni u kthye drejt Mirjamës dhe vuri re që e kishte zënë lebra. Atëherë ai i tha Moisiut: «Imzot, të lutem mos na e ngarko fajin që me marrëzi bëmë e mëkatuam. Mos e lër Mirjamën si një foshnjë të vdekur që në bark të nënës, me mishin gjysmë të kalbur». Atëherë Moisiu i thirri Zotit: «O Perëndi, të lutem shëroje!». Zoti iu përgjigj: «Po ta kishte pështyrë i ati në fytyrë, a nuk do të turpërohej për shtatë ditë? Largojeni pra, nga fushimi për shtatë ditë e pastaj të kthehet». Kështu Mirjama u largua nga fushimi për shtatë ditë dhe populli nuk u nis prej andej derisa u kthye ajo. Pastaj populli u nis nga Haceroti e fushoi në shkretëtirën e Paranit. Zoti i tha Moisiut: «Dërgo disa burra që të hetojnë tokën e Kanaanit, të cilën unë po ua jap izraelitëve. Dërgoni nga një prijës për çdo fis». Moisiu veproi siç i tha Zoti dhe i dërgoi krerët e izraelitëve nga shkretëtira e Paranit. Këta janë emrat e tyre: prej fisit të Rubenit, Shamuai, biri i Zakurit; prej fisit të Simeonit, Shafati, biri i Horiut; prej fisit të Judës, Kalebi, biri i Jefunehut; prej fisit të Isaharit, Igali, biri i Jozefit; prej fisit të Efraimit, Hosea, biri i Nunit; prej fisit të Benjaminit, Paltiu, biri i Rafuit; prej fisit të Zabulonit, Gadieli, biri i Sodit; prej fisit të Jozefit, fisit të Manaseut, Gadiu, biri i Susiut; prej fisit të Danit, Amieli, biri i Gemaliut; prej fisit të Asherit, Seturi, biri i Mikaelit; prej fisit të Neftaliut, Nahabi, biri i Vafsiut; dhe prej fisit të Gadit, Geueli, biri i Makiut. Këta ishin emrat e burrave që Moisiu dërgoi për të hetuar tokën. Moisiu e quajti Hosenë, birin e Nunit, Jozueh. Moisiu i dërgoi për të hetuar tokën e Kanaanit e u tha: «Shkoni nëpër Negev e ngjituni në male, që të vështroni se çfarë vendi është. A ka shumë apo pak banorë? A është popull i fortë apo jo? A është toka ku rrinë e mirë apo e keqe? A janë qytetet ku banojnë të hapura apo të fortifikuara? A është tokë pjellore apo e shkretë? A ka pyje apo jo? Kini guxim e merrni disa nga frutet e tokës». Ishte stina e rrushit të hershëm. Kështu, ata shkuan dhe hetuan tokën, që nga shkretëtira e Cinit deri në Rehob të Lebo Hamatit. Shkuan në Negev e mbërritën në Hebron. Atje banonin bijtë e Anakut, Ahimani, Sheshai e Talmai. Hebroni ishte ndërtuar shtatë vjet përpara Coanit të Egjiptit. Kur arritën në luginën e Eshkolit, vëzhguesit këputën shegë, fiq dhe një degë me vile rrushi që e mbartën dy veta në shtagë. Vendi u quajt lugina e Eshkolit për shkak të viles së rrushit që izraelitët këputën atje. Pas dyzet ditësh hetimi, vëzhguesit u kthyen. Erdhën te Moisiu e Aroni dhe te tërë bashkësia e Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh. U sollën lajmin Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë dhe i dëftuan frutet e tokës. Pastaj i treguan Moisiut: «Shkuam te vendi ku na dërgove. Atje rrjedh vërtet qumësht e mjaltë. Ja disa nga frutet e vendit. Por banorët e vendit janë të fortë, qytetet janë të fortifikuara e shumë të mëdha. Madje, atje vumë re edhe pasardhësit e Anakut. Amalekitët banojnë në tokën e Negevit. Hititët, jebusitët e amoritët banojnë në malësi, ndërsa kananitët banojnë buzë detit, përgjatë Jordanit». Por Kalebi e urdhëroi popullin të heshtte e i tha Moisiut: «Të shkojmë menjëherë e ta pushtojmë, se me të vërtetë jemi në gjendje të fitojmë». Burrat që kishin shkuar me të u përgjigjën: «Jo, nuk ndeshemi dot me atë popull, se janë më të fortë se ne». Ata u folën keq izraelitëve për tokën që hetuan: «Toka që përshkuam dhe hetuam është një vend që i përpin banorët e saj. I gjithë populli që pamë është shtatlartë. Atje vumë re edhe nefilimët, pasardhësit e Anakut që rrjedhin prej nefilimëve. Para tyre, na u duk vetja si karkaleca. Kështu do t'iu dukemi edhe ne atyre». Atëherë tërë bashkësia vuri kujën e vajtoi gjatë gjithë asaj nate. Të gjithë izraelitët murmuritën kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «Më mirë të kishim vdekur në Egjipt ose këtu në shkretëtirë. Pse po na çon Zoti në këtë tokë? Që të vdesim prej shpate e që gratë e fëmijët të na zihen rob? A nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt?». Ata i thoshin njëri-tjetrit: «Të caktojmë një prijës tjetër e të kthehemi në Egjipt». Atëherë Moisiu e Aroni ranë me fytyrë përdhe përpara tërë bashkësisë së izraelitëve. Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut, dy nga vëzhguesit, i shqyen rrobat e i thanë bashkësisë së izraelitëve: «Toka që përshkuam e hetuam është tej mase e mirë. Nëse Zoti na përkrah, do të na çojë në këtë vend e do të na e japë tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. Mos ngrini krye kundër Zotit! Mos e kini frikë popullin e vendit, se është kafshatë e vogël për ne. Ata s'ka kush t'i ndihmojë, ndërsa me ne është Zoti. Mos i kini frikë!». Mirëpo tërë bashkësia e izraelitëve donte t'i vriste me gurë. Atëherë lavdia e Zotit iu dëftua të gjithë izraelitëve në tendën e takimit dhe Zoti i tha Moisiut: «Edhe për sa kohë do të më përbuzë ky popull? Edhe për sa kohë nuk do të më zërë besë, pas gjithë atyre shenjave që bëra mes tyre? Do t'i godas me murtajë e do t'i dëboj, ndërsa prej teje do të bëj një komb më të madh e më të fuqishëm se ata». Por Moisiu i tha Zotit: «Do të dëgjojnë egjiptianët, prej nga e nxore me forcë këtë popull, e do t'u tregojnë banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar se ti, o Zot, je mes këtij populli, sepse ti, o Zot, shfaqesh ballë për ballë, reja jote qëndron mbi ta, dhe ditën u shkon para në shtyllën e resë, ndërsa natën në shtyllën e zjarrit. Nëse e vret një herë e mirë këtë popull, popujt që kanë dëgjuar të flitet për ty do të thonë: “ Zoti i theri në shkretëtirë, se nuk ishte në gjendje ta çonte këtë popull në tokën që u premtoi”. Prandaj, të lutem, tregoje madhështinë e fuqisë tënde, o Zot, ashtu siç the: “ Zoti është i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, e fal paudhësinë e shkeljen, por nuk lë pa dënuar. Paudhësinë e etërve e ndëshkon, deri te fëmijët, deri te breznia e tretë dhe e katërt”. Fale paudhësinë e këtij populli në saje të mirësisë sate të madhe, ashtu siç ke bërë që kur i nxore nga Egjipti e deri tani». Atëherë Zoti i tha: «Po i fal siç the, por pasha jetën e lavdinë e Zotit që mbush tërë tokën, asnjë nga njerëzit që pa lavdinë time e shenjat që bëra në Egjipt e në shkretëtirë dhe më vuri në provë dhjetë herë pa më dëgjuar, s'ka për ta parë tokën që u premtova etërve të tyre. Asnjë nga ata që më përbuzën nuk do ta shohë. Por me Kalebin, shërbëtori tim, ishte një frymë tjetër dhe ai më qëndroi besnik, prandaj do ta çoj në tokën që shkeli dhe që pasardhësit e tij do ta zotërojnë. Amalekitët e kananitët banojnë në luginë, prandaj nesër kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, rrugës për te deti i Kuq». Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Për sa kohë do të murmuritë kundër meje kjo bashkësi e mbrapshtë? Mjaft i dëgjova duke murmuritur kundër meje. Prandaj thuaju: “Pasha jetën, kumton Zoti, unë do të bëj me ju siç dëgjova se thatë. Në këtë shkretëtirë do të bien kufomat tuaja, të gjithë të regjistruarit nga njëzet vjeç e lart që murmuritën kundër meje. Asnjë prej jush nuk do të hyjë në tokën ku u betova se do t'ju vendos, përveç Kalebit, birit të Jefunehut dhe Jozuehut, birit të Nunit. Fëmijët tuaj, për të cilët thatë se do të zihen rob, do t'i fus. Ata do ta shijojnë tokën që ju përbuzët, ndërsa kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë. Bijtë tuaj do të bredhin si barinj nëpër shkretëtirë për dyzet vjet. Ata do të paguajnë për pabesinë tuaj gjersa çdo kufomë juaja të marrë fund në shkretëtirë. Paudhësitë tuaja do t'i vuani për dyzet vjet, një vit për çdo ditë që hetuat tokën. Kështu do ta dini se ç'do të thotë të më kundërshtoni. Unë Zoti fola: kështu do të sillem me tërë këtë bashkësi të mbrapshtë që bëhet bashkë kundër meje. Në këtë shkretëtirë do të vdesin, këtu do të marrin fund!”». Burrat që Moisiu dërgoi për të hetuar tokën dhe që në kthim nxitën tërë bashkësinë të murmuriste kundër tij, duke folur keq për tokën, vdiqën nga një plagë para Zotit. Nga burrat që shkuan për të hetuar tokën, mbetën gjallë vetëm Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut. Kur Moisiu u tha tërë këto fjalë, izraelitët vajtuan me të madhe. U ngritën herët në mëngjes, u ngjitën në majë të malit e thanë: «Le të shkojmë te vendi, për të cilin Zoti tha se mëkatuam». Moisiu u tha: «Përse po shkelni fjalën e Zotit? Nuk keni për t'ia dalë mbanë. Mos shkoni, se nuk do ta keni Zotin mes jush dhe armiqtë do t'ju mundin. Përballë keni amalekitët e kananitët. Do të vdisni prej shpatës së tyre, se i kthyet shpinën Zotit e ai nuk do të jetë me ju». Por ata ngulën këmbë dhe u ngjitën në majë të malit, edhe pse arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i fushimit. Atëherë amalekitët e kananitët, malësorët e vendit, i sulmuan e i goditën dhe i ndoqën deri në Hormah. Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në vendbanimin që po ju jap e t'i kushtoni Zotit dhen e qe si fli erëkëndshme zjarri, qofshin ato fli shkrumbimi apo flijime për të përmbushur ndonjë zotim, si fli vullnetare ose për të festuar të kremtet, paraqitini Zotit edhe një kilogram majë mielli të përzier me një litër vaj si fli drithi dhe një litër verë si fli stërpikjeje për çdo qengj të flijuar ose të kushtuar si fli shkrumbimi. Për çdo dash sillni dy kilogramë majë mielli të përzier me një litër e gjysmë vaj si fli drithi dhe një litër e gjysmë verë si fli stërpikjeje që të jetë fli erëkëndshme për Zotin. Kur të kushtosh dem, qoftë si fli shkrumbimi apo si flijim për të përmbushur ndonjë zotim ose si fli paqtimi, sill edhe tre kilogramë majë mielli, të përzier me dy litra vaji si fli drithi dhe dy litra verë si fli stërpikjeje që të jetë fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Kështu të bëhet për çdo dem, çdo dash, çdo qengj e çdo dhi. Flija përkatëse e drithit dhe e stërpikjes të përllogaritet sipas numrit të tyre. Kështu të veprojë çdo vendas që i paraqet Zotit fli erëkëndshme zjarri. Kur një i huaj, qoftë i ardhur apo banor i përkohshëm, i kushton Zotit fli erëkëndshme zjarri, të bëjë siç bën edhe ti. I njëjti rregull të vlejë për bashkësinë, si për ju, edhe për të huajin. Ky është rregull i përhershëm, brez pas brezi. Si ju, edhe i huaji, jeni të njëjtë para Zotit. I njëjti ligj e rregull të vlejë si për ju, edhe për të huajin që banon mes jush». Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në tokën ku unë po ju çoj e të hani nga ushqimi i tokës, kushtojini Zotit dhuratë. Nga brumi i parë i magjes dhuroni kulaç. Paraqiteni ashtu siç bëni me dhuratën e lëmit. Brez pas brezi do t'i jepni Zotit nga brumi i parë i magjes. Nëse gaboni padashur e nuk i mbani tërë këto urdhërime, që Zoti i dha Moisiut e përmes tij jua dha edhe juve, që nga dita që u dhanë e më tej, brez pas brezi, nëse, pra, ndodh kështu pa dijeninë e bashkësisë, atëherë tërë bashkësia t'i kushtojë Zotit një dem si fli erëkëndshme shkrumbimi, fli drithi e fli stërpikjeje, sipas rregullit, dhe një cjap si fli mëkati. Prifti të kryejë shlyerjen e mëkatit për tërë bashkësinë e izraelitëve që t'u falet faji, se gabuan padashur dhe, për këtë, i kushtuan Zotit fli zjarri e fli mëkati. Kështu, tërë bashkësia e izraelitëve dhe i huaji që banon mes jush do të falet, sepse i tërë populli gaboi padashur. Kur dikush gabon padashur, të paraqesë një ftujë dyvjeçare si fli mëkati. Prifti të kryejë shlyerjen e mëkatit për personin që gaboi padashur para Zotit që t'i falet faji. Ky ligj të vlejë si për vendasin, edhe për të huajin që banon mes jush. Por ai vendas apo i huaj që gabon me qëllim, e poshtëron Zotin, prandaj të zhbihet nga populli. Ai përbuzi fjalën e Zotit dhe theu urdhërimet e tij. Të zhbihet për shkak të fajit që bëri». Kur ishin në shkretëtirë, izraelitët kapën dikë që po mblidhte dru ditën e shtunë dhe e sollën para Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë. E mbajtën nën mbikëqyrje, sepse nuk ishte e qartë se ç'do të bëhej me të. Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Të dënohet me vdekje! Tërë bashkësia ta vrasë me gurë jashtë fushimit». E nxorën jashtë fushimit dhe e vranë me gurë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: brez pas brezi të punojnë thekë në fund të rrobave. Në cep të thekëve të vendosin një shirit ngjyrë vjollcë. Kur të shihni thekët, do të kujtoheni për tërë urdhërimet e Zotit e do t'i zbatoni. Kështu nuk do të ndiqni lakmitë e zemrës e të syve. Do të kujtoheni të mbani tërë urdhërimet e mia e do të jeni të shenjtë për Perëndinë tuaj. Unë, Zoti, jam Perëndia juaj që ju nxori nga toka e Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë, Zoti, jam Perëndia juaj!». Koreu, biri i Icharit, të birit të Kohatit, të birit të Levit, bashkë me Datanin e Abiramin, bijtë e Eliabit, dhe me Onin, birin e Peletit, pasardhës i Rubenit, u ngritën kundër Moisiut. Me ta u ngritën edhe dyqind e pesëdhjetë izraelitë. Ata ishin prijës të bashkësisë, të përzgjedhur nga këshilli, burra me emër. Këta u bashkuan kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «E keni tepruar! Tërë bashkësia është e shenjtë. Gjithsecili është i shenjtë dhe Zoti është mes tyre. Përse, pra, e vini veten në krye të bashkësisë së Zotit?». Si i dëgjoi, Moisiu ra me fytyrë përdhe e i tha Koreut e njerëzve të tij: «Në mëngjes, Zoti do të tregojë se kush është i tiji, kush është i shenjtë e kush do të pranohet të dalë para tij. Atë që Zoti do të zgjedhë, do ta pranojë edhe të dalë para tij. Bëni, pra, kështu: Koreu e njerëzit e tij të marrin nga një temjanicë. Nesër, mbushini me zjarr e temjan e vendosini para Zotit. Atë që Zoti do të zgjedhë, ai do të jetë i shenjtë. E keni tepruar, o bijtë e Levit!». Moisiu i tha Koreut: «Dëgjoni, o bijtë e Levit! A ju duket pak që Perëndia i Izraelit ju ndau veç nga bashkësia e Izraelit e ju pranoi të dilni para tij për të shërbyer në tendën e Zotit dhe për të qëndruar para bashkësisë që t'i shërbeni? Ai të pranoi ty bashkë me gjithë vëllezërit e tu, o bijtë e Levit, e tani ju kërkoni edhe priftërinë? Prandaj, ti dhe gjithë njerëzit e tu jeni mbledhur kundër Zotit. Kush është Aroni që murmurisni kundër tij?». Atëherë Moisiu dërgoi njerëz që të thërrisnin Datanin e Abiramin, bijtë e Eliabit, por ata i thanë: «Nuk vijmë! A të duket pak që na nxore nga toka ku rridhte qumësht e mjaltë për të na vrarë në shkretëtirë, e tani dashke edhe të na bëhesh prijës? Veç kësaj, as nuk na çove në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë e as nuk na dhe trashëgimi, fusha e vreshta. A kujton se do t'u hedhësh hi syve burrave si ne? Nuk vijmë!». Moisiu u zemërua shumë e i tha Zotit: «Mos i prano flitë e tyre. Nuk u kam marrë as edhe një gomar e nuk i kam bërë keq askujt prej tyre». Moisiu i tha Koreut: «Ti dhe tërë njerëzit e tu qëndroni nesër para Zotit. Ti, njerëzit e tu dhe Aroni. Secili të marrë temjanicën e vet, ta mbushë me temjan e t'ia paraqesë Zotit, gjithsej dyqind e pesëdhjetë temjanica. Kështu bëj edhe ti me Aronin». Secili mori temjanicën e vet, e mbushi me zjarr e temjan dhe qëndroi te hyrja e tendës së takimit bashkë me Moisiun e Aronin. Atëherë Koreu mblodhi te hyrja e tendës së takimit tërë bashkësinë kundër Moisiut e Aronit. Lavdia e Zotit iu dëftua tërë bashkësisë. Atëherë Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Ndahuni nga kjo bashkësi që t'i përpij menjëherë». Ata ranë me fytyrë përdhe e i thanë: «O Perëndi, Perëndi që i jep jetë çdo krijese, a do të zemërohesh me tërë bashkësinë ngaqë mëkatoi një njeri?». Zoti i tha Moisiut: «Thuaji bashkësisë: largohuni nga rrethinat e banesave të Koreut, Datanit e Abiramit». Moisiu u ngrit e shkoi te Datani e Abirami. Pas tij shkuan dhe pleqtë e Izraelit. Atëherë ai i tha bashkësisë: «Largohuni nga tendat e këtyre njerëzve të mbrapshtë. Mos prekni asgjë që është në to, përndryshe do të shfaroseni bashkë me gjithë mëkatet e tyre». Kështu, ata u larguan nga rrethinat e banesave të Koreut, Datanit e Abiramit. Ndërkohë, Datani e Abirami dolën bashkë me gratë, fëmijët e të vegjlit dhe qëndruan te hyrja e tendave të tyre. Moisiu tha: «Me këtë do ta dini se Zoti dhe jo koka ime, më ka dërguar për të bërë të gjitha këto. Nëse këta njerëz vdesin natyrshëm, siç u ndodh të gjithëve, apo pësojnë të njëjtin fat si tërë njerëzit e tjerë, atëherë mua nuk më ka dërguar Zoti. Por, nëse Zoti bën diçka të pazakontë, nëse toka hap gojën e i përpin me gjithçka kanë e zbresin të gjallë në skëterrë, atëherë do ta dini së këta njerëz e kanë përbuzur Zotin ». Sa mbaroi së foluri këto fjalë, nën këmbët e tyre u hap dheu. Toka hapi gojën dhe i përpiu me shtëpi e katandi, ata dhe njerëzit që shkuan pas Koreut. Ata zbritën të gjallë në skëterrë bashkë me gjithçka kishin. Toka i mbuloi e u zhbinë prej bashkësisë. Kur dëgjuan britmat e tyre, të gjithë izraelitët që i rrethonin ua mbathën, se thoshin: «Do të na përpijë toka!». Zoti lëshoi një zjarr, që i përpiu të dyqind e pesëdhjetë burrat që po paraqisnin temjan. Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Eleazarit, birit të priftit Aron, t'i heqë temjanicat nga kufomat e shkrumbuara e ta shpërndajë andej-këtej zjarrin që është në to, sepse temjanicat janë shenjtëruar. Temjanicat e këtyre mëkatarëve, që e pësuan me jetën e tyre, farkëtoji si pllaka për të veshur altarin, sepse ia paraqitën Zotit dhe u shenjtëruan. Ato të shërbejnë si shenjë qortuese për izraelitët». Atëherë prifti Eleazar i mori temjanicat prej bronzi nga kufomat e shkrumbuara dhe i farkëtoi si pllaka për altarin, për të shërbyer si përkujtimore për izraelitët që askush, përveç pasardhësve të Aronit, të mos afrohet për t'i kushtuar Zotit temjan, përndryshe do ta pësojë si Koreu e njerëzit e tij. Kështu Eleazari bëri siç i tha Zoti përmes Moisiut. Të nesërmen, tërë bashkësia e izraelitëve murmuriti kundër Moisiut e Aronit: «E vratë popullin e Zotit!». Por, kur u mblodh kundër Moisiut e Aronit, bashkësia u kthye drejt tendës së takimit dhe ja, reja e mbuloi tendën dhe u dëftua lavdia e Zotit. Atëherë Moisiu e Aroni mbërritën para tendës së takimit. Zoti i tha Moisiut: «Largohuni nga kjo bashkësi që t'i përpij menjëherë». Ata ranë me fytyrë përdhe dhe Moisiu i tha Aronit: «Merre temjanicën, mbushe me zjarr nga altari dhe me temjan. Nxito drejt bashkësisë e shlyej mëkatin e tyre, sepse ka shpërthyer zemërimi i Zotit dhe po pllakos gjëma!». Aroni e mori siç i tha Moisiu dhe vrapoi në mes të bashkësisë. Tashmë mes tyre kishte filluar gjëma. Ai e mbushi me temjan dhe e shleu mëkatin e popullit. Qëndroi ndërmjet të vdekurve e të gjallëve dhe gjëma u ndal. Dyzet mijë e katërqind veta vdiqën nga kjo gjëmë pa përmendur ata që vdiqën për shkak të Koreut. Kur u ndal gjëma, Aroni u kthye te Moisiu, në hyrje të tendës së takimit. Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e merr nga një shkop për çdo fis, për çdo prijës të familjeve të etërve, gjithsej dymbëdhjetë shkopinj. Në secilin shkop shkruaj emrin e prijësit përkatës. Emrin e Aronit shkruaje te shkopi i Levit, se duhet të ketë nga një shkop për çdo krye të familjeve të etërve. Pastaj, vendosi në tendën e takimit para dëshmisë, atje ku takohem me ju. Shkopi i atij që do të zgjedh, do të lulëzojë. Kështu do t'i heq qafe murmuritjet e izraelitëve që nuk reshtin kundër jush». Moisiu foli me izraelitët e çdo prijës i familjeve të etërve i dha nga një shkop. Gjithsej ishin dymbëdhjetë shkopinj. Mes tyre ishte edhe shkopi i Aronit. Moisiu i vendosi në tendën e dëshmisë në prani të Zotit. Të nesërmen, Moisiu hyri në tendën e dëshmisë dhe, ja, shkopi i Aronit, nga fisi i Levit, kishte lulëzuar. Ai kishte nxjerrë sytha, kishte bulëzuar e kishte prodhuar bajame. Atëherë Moisiu i nxori të gjithë shkopinjtë nga prania e Zotit para tërë popullit të Izraelit. Ata i panë dhe secili mori shkopin e vet. Zoti i tha Moisiut: «Ktheje shkopin e Aronit te dëshmia, që të ruhet si shenjë për kryengritësit. Kështu, do t'i japësh fund murmuritjeve kundër meje, që ata të mos vdesin». Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. Izraelitët i thanë Moisiut: «Ja, morëm fund! U zhbimë! Të gjithë ne mbaruam! Kushdo që i afrohet tendës së Zotit, vdes. A thua kështu do të vdesim e do të marrim fund?!». Zoti i tha Aronit: «Ti, bijtë e tu dhe familja e atit tënd do të përgjigjeni për çdo faj të kryer kundër shenjtërores dhe gjatë shërbesës suaj si priftërinj. Bashkë me veten paraqit edhe vëllezërit prej fisit të Levit, fisit të etërve të tu, që të të shoqërojnë e të të shërbejnë kur ti bashkë me bijtë e tu të jeni para tendës së dëshmisë. Ata të kujdesen për shërbesën tënde dhe për atë të tendës, por të mos i afrohen enëve të shenjtërores dhe altarit, që të mos vdesin, as ata e as ju. Do të të shoqërojnë e do të kujdesen për çdo shërbesë të tendës së takimit. Askush tjetër nuk do t'ju afrohet. Do të kujdeseni për shërbesën e shenjtërores e të altarit, që zemërimi i Zotit të mos ndizet më kundër izraelitëve. Ja, unë i kam marrë levitët, vëllezërit tuaj, nga mesi i izraelitëve si dhuratë kushtuar Zotit e jua kam dhuruar që të shërbejnë në tendën e takimit. Ndërsa ti bashkë me bijtë e tu do të kujdeseni si priftërinj për çdo gjë në altar dhe për çdo gjë brenda velit. Kjo është shërbesa juaj. Si dhuratë për këtë shërbesë ju jap priftërinë. Kushdo tjetër që afrohet, do të vdesë». Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Ja, unë të kam besuar dhuratat që më kushtohen. Të gjitha gjërat e shenjta të kushtuara nga izraelitët t'i kam dhënë për pjesë ty e bijve të tu. Ky është rregull i përhershëm. Nga flitë më të shenjta, ty do të të përkasin të gjitha flitë që nuk digjen, ato të drithit, të mëkatit dhe të fajit. Ato të jenë tejet të shenjta për ty e bijtë e tu. Haji në vendin më të shenjtë. Mund t'i hajë çdo mashkull. Ato të jenë të shenjta për ty. Ty do të të përkasin edhe dhuratat e izraelitëve të kushtuara si fli lartësimi. Ato ua kam dhënë bijve e bijave të tua. Ky është rregull i përhershëm. Ato mund t'i hajë çdo pjesëtar i pastër i shtëpisë tënde. Ty t'i kam dhënë të gjitha frytet e para që i kushtohen Zotit, më të mirën e vajit, e verës e të drithit. Ty do të të përkasin frytet e para të tokës që i sillen Zotit. Ato mund t'i hajë çdo pjesëtar i shtëpisë tënde. Ty do të të përkasë çdo gjë që ndahet veç për Zotin në Izrael. Çdo fryt i parë i barkut, si i njerëzve, edhe i kafshëve, që i paraqitet Zotit do të të përkasë ty. Por të parëlindurit e njerëzve e të kafshëve të papastra do t'i shpaguash. Pas një muaji, caktoje çmimin e shpagimit pesë sikla, e barabartë me gjashtëdhjetë gramë sipas peshës së shenjtërores. Të parëlindurit e qeve, të dhenve e të dhive mos i shpago. Ata janë të shenjtë. Derdhe gjakun e tyre në altar e digje dhjamin e tyre si fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Mishi i tyre do të të përkasë ty ashtu siç të përket gjoksi i flisë së lartësimit dhe kofsha e djathtë. Ty t'i kam dhënë të gjitha dhuratat e shenjta që izraelitët i kushtojnë Zotit. T'i kam dhënë ty, bijve të tu e bijave të tua që janë me ty. Ky është rregull i përhershëm. Kjo është një besëlidhje e përhershme para Zotit, e pathyeshme si kripa, për ty e për pasardhësit e tu». Zoti i tha Aronit: «Nuk do të kesh trashëgimi në tokën e tyre e as pjesë mes tyre. Unë jam pjesa dhe trashëgimia jote mes izraelitëve. Levitëve u kam dhënë për trashëgimi të gjitha të dhjetat që jep Izraeli në këmbim të shërbesës që kryejnë në tendën e takimit. Kështu, izraelitët nuk do t'i afrohen më tendës së takimit, që të mos mëkatojnë e të vdesin. Vetëm levitët do të shërbejnë në tendën e takimit dhe ata do të përgjigjen për fajet e tyre. Ky është rregull i përhershëm brez pas brezi. Ata nuk do të kenë trashëgimi mes izraelitëve, sepse u kam dhënë për trashëgimi të dhjetat që izraelitët i kushtojnë si dhuratë Zotit, prandaj dhe u thashë se nuk do të kenë trashëgimi mes izraelitëve». Zoti i tha Moisiut: «Fol me levitët e thuaju që kur ta marrin të dhjetën e izraelitëve, që ua kam dhënë si trashëgimi, t'i kushtojnë si dhuratë Zotit një të dhjetën e saj, pra të dhjetën e të dhjetave. Kjo do t'ju njihet si dhuratë, e njëjtë me atë të drithit të lëmit e të lëngut të torkut. Kështu, edhe ju do t'i kushtoni dhuratë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga izraelitët. Këtë dhuratë kushtuar Zotit do t'ia jepni priftit Aron. Kushtoni si dhuratë pjesën që i takon Zotit nga të gjitha dhuratat që merrni. Pjesa që do të shenjtëroni të jetë ndër më të mirat. Pasi ta kushtojnë pjesën më të mirë, levitët ta shohin pjesën që mbetet njësoj si prodhimi i lëmit e i torkut. Ti dhe familja jote mund t'i hani në çdo vend, sepse është paga juaj për shërbimin që kryeni në tendën e takimit. Nëse i kushtoni më të mirat nuk do të bini në mëkat për shkak të tyre e nuk do t'i përdhosni kushtimet e shenjta të izraelitëve. E kështu nuk do të vdisni». Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Ky është rregull ligjor që Zoti ka urdhëruar: “Thuaju izraelitëve të të sjellin një mëshqerrë të kuqe, të shëndetshme e të patëmetë, që nuk është vënë në zgjedhë. Jepja priftit Eleazar. Mëshqerra të nxirret jashtë fushimit e të theret para tij. Eleazari ta ngjyejë gishtin në gjakun e mëshqerrës e të spërkatë shtatë herë para tendës së takimit. Pastaj e gjithë mëshqerra, lëkura, mishi, gjaku e rropullitë të digjen para tij. Prifti të marrë dru cedri, hisop e lesh me ngjyrë të kuqe të ndezur e t'i hedhë në mes të zjarrit që djeg mëshqerrën. Atëherë prifti të lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Pastaj të hyjë në fushim. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Edhe ai që e dogji mëshqerrën t'i lajë rrobat e trupin e vet me ujë. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Atëherë dikush që është i pastër ta mbledhë hirin e mëshqerrës e ta vendosë jashtë fushimit, në një vend të pastër, që të përdoret nga bashkësia e izraelitëve për ujin e pastrimit, sepse është fli mëkati. Ai që mblodhi hirin e mëshqerrës të lajë rrobat e veta. Ai do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky është rregull i përhershëm si për izraelitët, edhe për të huajt që banojnë mes jush. Kushdo që prek kufomën e një njeriu, do të jetë i papastër për shtatë ditë. Në ditën e tretë, të pastrojë veten me ujin e pastrimit. Në ditën e shtatë do të jetë i pastër, por nëse nuk pastrohet ditën e tretë nuk do të jetë i pastër ditën e shtatë. Kushdo që nuk pastrohet pasi ka prekur kufomën e një njeriu, përdhos tendën e Zotit, prandaj dhe do të zhbihet prej Izraelit. Ai është i papastër dhe i tillë do të mbesë, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit. Ky është ligji për ata që vdesin në tendë: kushdo që hyn apo që është në tendë do të jetë i papastër për shtatë ditë. Çdo enë e hapur e pa mbuluar me kapak do të jetë e papastër. Kushdo që prek në fushë të hapur një njeri që është vrarë me shpatë apo që ka vdekur natyrshëm, eshtra njeriu apo ndonjë varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë. Për të pastruar të papastrin të merret hi nga flija për mëkatin e djegur e të shtihet në një enë të mbushur me ujin e jetës. Atëherë dikush që është i pastër të marrë hisop, ta ngjyejë në ujë e të spërkatë tendën, të gjitha enët, njerëzit që ishin atje, këdo që kishte prekur ndonjë eshtër apo varr, ndonjë të vrarë apo të vdekur. I pastri të spërkatë të papastrin ditën e tretë e të shtatë. Ai do ta pastrojë të papastrin ditën e shtatë. Pasi i ka larë rrobat në ujë, i papastri do të jetë i pastër në mbrëmje. I papastri që nuk pastrohet të zhbihet prej bashkësisë, sepse ka përdhosur shenjtëroren e Zotit. Ai është i papastër, sepse nuk u spërkat me ujin e pastrimit. Ky është rregull i përhershëm. Kushdo që spërkat ujin e pastrimit t'i lajë rrobat e veta. Kushdo që e prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Çdo gjë që prek i papastri do të jetë e papastër e kushdo që prek diçka të papastër do të jetë i papastër deri në mbrëmje”». Në muajin e parë, tërë bashkësia izraelite mbërriti në shkretëtirën e Cinit e populli qëndroi në Kadesh. Atje vdiq e u varros Mirjama. Atje nuk kishte ujë për bashkësinë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut e Aronit. Populli u grind me Moisiun e i tha: «Ah, sikur të kishim vdekur edhe ne kur na vdiqën vëllezërit para Zotit. Përse e sollët bashkësinë e Zotit në këtë shkretëtirë, që të vdesim këtu ne dhe bagëtitë tona? Përse na nxorët nga Egjipti e na sollët në këtë vend të keq? Ky s'është vend ku mund të mbillet. Nuk ka as fiq, as vreshta, as shegë e as ujë për të pirë». Atëherë Moisiu e Aroni u larguan nga bashkësia e shkuan në hyrje të tendës së takimit. Ata ranë me fytyrë përdhe e iu shfaq lavdia e Zotit. Zoti i tha Moisiut: «Merre shkopin e bashkë me Aronin, vëllanë tënd, mblidhe bashkësinë. Flitini shkëmbit në sy të të gjithëve, që të nxjerrë ujë. Kështu do t'u nxjerrësh ujë nga shkëmbi e do t'i japësh për të pirë bashkësisë e bagëtive». Moisiu e mori shkopin prej pranisë së Zotit siç e kishte urdhëruar Zoti. Ai bashkë me Aronin e mblodhi bashkësinë para shkëmbit e u tha: «Dëgjoni, o kryengritës! Doni t'ju nxjerrim ujë nga ky shkëmb?». Atëherë Moisiu e ngriti dorën, i ra shkëmbit dy herë me shkop e prej tij doli shumë ujë. Kështu, pinë bashkësia e bagëtia. Por, Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Nuk do ta çoni këtë bashkësi në tokën që u kam dhënë, sepse nuk më besuat për të më shenjtëruar para izraelitëve». Këto janë ujërat e Meribës, ku izraelitët u grindën me Zotin dhe ku ai u tregua i shenjtë mes tyre. Moisiu dërgoi nga Kadeshi disa lajmëtarë te mbreti i Edomit e i tha: «Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: ti i di të gjitha vështirësitë që kemi hasur, sesi etërit tanë shkuan në Egjipt, sesi banuam atje për një kohë të gjatë e sesi egjiptianët na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë. Ne i thirrëm Zotit. Ai na dëgjoi, dërgoi një engjëll e na nxori nga Egjipti. Tani jemi në Kadesh, qytet në kufi me vendin tënd. Na lër pra, të kalojmë përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë nëpër ara e nëpër vreshta e nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore, nuk do shmangemi as majtas, as djathtas derisa të kalojmë përtej kufijve të tu». Por Edomi iu përgjigj: «Nuk do të kaloni. Përndryshe do të dal t'ju pres me shpatë». Izraelitët i thanë: «Do të shkojmë rrugës kryesore. Nëse unë e kafshët e mia pimë ujin tënd, do ta paguaj. Nuk po të kërkojmë shumë, na lër vetëm të kalojmë më këmbë». Edomi u tha: «Nuk do të kaloni!» dhe u doli përpara me një ushtri të madhe e të fuqishme. Kështu Edomi nuk e lejoi Izraelin të kalojë përmes kufijve të tij dhe Izraeli u largua. Atëherë tërë bashkësia izraelite u nis nga Kadeshi dhe mbërriti në malin Hor. Kur ishin në Hor, që është në kufi me tokën e Edomit, Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Aroni do të bashkohet me të parët. Ai nuk do të hyjë në tokën që u kam dhënë izraelitëve, sepse ngritët krye kundër meje tek ujërat e Meribës. Merr me vete Aronin e birin e tij, Eleazarin, dhe ngjiti në malin Hor. Zhvishja rrobat Aronit e vishja Eleazarit, birit të tij. Aroni do të bashkohet me të parët. Ai do të vdesë atje». Moisiu bëri siç i urdhëroi Zoti. Ata u ngjitën në malin Hor para tërë bashkësisë. Moisiu ia zhveshi rrobat Aronit e ia veshi Eleazarit, birit të tij. Aroni vdiq në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali dhe mbarë bashkësia e pa që Aroni kishte vdekur. Atëherë tërë shtëpia e Izraelit e vajtoi për tridhjetë ditë. Mbreti kananit i Aradit, që jetonte në Negev, dëgjoi se Izraeli po vinte udhës së Atarimit. Ai i sulmoi e zuri rob disa prej tyre. Atëherë Izraeli iu zotua Zotit: «Nëse ma dorëzon me të vërtetë këtë popull, do t'i rrënoj qytetet e tyre». Zoti e dëgjoi Izraelin dhe ia dorëzoi kananitët. Izraelitët i rrënuan krejt banorët e qytetet e tyre. Kështu, vendi u quajt Hormah. Izraelitët u nisën nga mali Hor rrugës së detit të Kuq për t'i rënë përqark tokës së Edomit. Por rrugës, populli e humbi durimin e foli kundër Perëndisë e Moisiut: «Përse na nxorët nga Egjipti, që të vdesim në shkretëtirë? S'ka bukë, s'ka ujë e kjo bukë e shpifur na u neverit!». Atëherë Zoti dërgoi mes popullit gjarpërinj helmues dhe ata e kafshuan popullin. Shumë prej izraelitëve vdiqën. Populli shkoi te Moisiu e i tha: «Mëkatuam, sepse folëm kundër Zotit e kundër teje. Lutju Zotit që t'i largojë gjarpërinjtë prej nesh». Moisiu u lut për popullin dhe Zoti i tha: «Bëj një gjarpër helmues dhe vendose në një shtyllë. Kushdo që është kafshuar, ta shikojë e ka për të jetuar». Atëherë Moisiu bëri një gjarpër prej bronzi dhe e vendosi mbi një shtyllë. Nëse gjarpri kafshonte dikë, ai vështronte drejt gjarprit prej bronzi dhe jetonte. Izraelitët vijuan udhëtimin e fushuan në Obot. Pastaj u nisën nga Oboti e fushuan në Ijim Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, në lindje. U nisën prej andej e fushuan në luginën e Zeredit. U nisën edhe prej Zeredit e fushuan matanë Arnonit që ndodhet në shkretëtirën përtej kufijve të amoritëve. Arnoni është në kufi me Moabin, mes Moabit e amoritëve, prandaj edhe thuhet në librin e «Luftrave të Zotit »: «Vahebi në Sufa dhe luginat e Arnonit. Rrëpira e luginave që shtrihet drejt banesave të Arit e përqafon kufijtë e Moabit». Prej këndej shkuan në Beer. Ky është pusi ku Zoti i tha Moisiut: «Mblidhe bashkësinë që t'u jap ujë». Dhe Izraeli këndoi këtë këngë: «Gurro, o pus, e ju këndojini pusit që hapën prijësit, që fisnikët e popullit gërmuan, me skeptër e me shkop». Pastaj prej shkretëtirës shkuan në Matanë, prej Matanës në Nahaliel, prej Nahalielit në Bamot, prej Bamotit në luginën që është në vendin e Moabit, në majë të Pisgahut prej nga shihet Jishmoni. Izraeli dërgoi disa lajmëtarë te Sihoni, mbreti i amoritëve, e i tha: «Më lër të kaloj përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë as nëpër ara e as nëpër vreshta, as nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore derisa të kalojmë përtej kufijve të tu». Por Sihoni nuk e la të kalojë përmes tokës së tij. Ai mblodhi tërë popullin dhe i doli para në shkretëtirë. Mbërriti në Jahac dhe e sulmoi. Por Izraeli e shkoi në teh të shpatës dhe e pushtoi tokën e tij, nga Arnoni deri në Jabok, deri te pasardhësit e Amonit, sepse kufijtë e amonitëve ishin të mbrojtur mirë. Izraeli i pushtoi të gjitha këto qytete amorite e banoi në to, në Heshbon dhe në të gjitha rrethinat. Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar kundër mbretit të mëparshëm të Moabit dhe ia kishte pushtuar tërë vendin që zotëronte, deri në Arnon. Prandaj dhe rapsodët thoshin: «Ejani në Heshbon! Të ndërtohet e themelohet qyteti i Sihonit. Zjarr shpërtheu prej Heshbonit, flakë prej qytetit të Sihonit. E përpiu Arin e Moabit, i përlau majat e Arnonit. Mjerë ti, o Moab! Kaq e pate, o popull i Kemoshit! Djemtë e tu i bëre ikanakë, vajzat e tua robinja të Sihonit, mbretit të amoritëve. Me shigjeta i qëlluam. Heshboni deri në Dibon u shkatërrua. E rrënuam derisa zjarri u përhap në Medebë». Kështu, Izraeli banoi në tokën e amoritëve. Atëherë Moisiu dërgoi disa njerëz që të përgjojnë Jazerin. Ata i pushtuan rrethinat e Jazerit e i dëbuan amoritët që ishin atje. Izraelitët u kthyen e shkuan rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin, u doli përpara në Edrej, që të ndeshej me ta. Zoti i tha Moisiut: «Mos e ki frikë, se ta kam dorëzuar atë, gjithë popullin dhe tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon». Kështu, izraelitët i ranë aq fort Ogut, bijve e gjithë popullit të tij, sa askush nuk shpëtoi. Ata e pushtuan tokën e tij. Izraelitët u nisën e fushuan në stepat e Moabit, përtej Jordanit kundruall Jerikosë. Balaku, biri i Ciporit, pa gjithçka që Izraeli u bëri amoritëve. Atëherë Moabin e kapi një frikë e madhe, se populli ishte i shumtë. Ai u tmerrua prej izraelitëve e u tha pleqve të Midianit: «Tashmë kjo turmë do të përlajë gjithçka përreth nesh siç përlan kau barin e fushës». Asokohe, Balaku, biri i Ciporit, ishte mbreti i Moabit. Ai dërgoi disa lajmëtarë te Balaami, biri i Beorit, në Petora, në vendlindjen e tij, që është buzë Eufratit, për ta ftuar e për t'i thënë: «Ja, ka dalë një popull nga Egjipti dhe ka mbuluar gjithçka që të kap syri e ka zënë vend përballë meje. Eja, pra, e mallkoma këtë popull, se është më i fortë se unë. Ndoshta kështu do të mund ta godas e ta dëboj nga toka, sepse e di se këdo që ti bekon është i bekuar dhe këdo që ti mallkon është i mallkuar». Pleqtë e Moabit e të Midianit shkuan te Balaami me pagesën e shortarit në dorë e i thanë fjalët e Balakut. Atëherë Balaami u tha: «Rrini sonte këtu. Do t'ju kthej përgjigje si të më thotë Zoti ». Prijësit e Moabit ndenjën me Balaamin. Perëndia erdhi te Balaami dhe e pyeti: «Ç'janë këta njerëz që janë me ty?». Balaami i tha Perëndisë: «Balaku, biri i Ciporit, mbreti i Moabit, i ka dërguar tek unë për të më thënë: “Ja, populli që doli nga Egjipti ka mbuluar gjithçka që të kap syri. Eja, pra, e mallkoma, se kështu ndoshta do të mund ta sulmoj e ta dëboj”». Perëndia i tha Balaamit: «Mos shko me ta! Mos e mallko këtë popull, se është i bekuar». Balaami u ngrit në mëngjes e u tha prijësve të Balakut: «Kthehuni në vendin tuaj, sepse Zoti nuk donte që të vija me ju». Prijësit u ngritën, shkuan te Balaku e i thanë: «Balaami nuk deshi të vinte me ne». Balaku dërgoi sërish disa prijës. Ata ishin më të shumtë e më të rëndësishëm se të parët. Shkuan te Balaami e i thanë: «Kështu thotë Balaku, biri i Ciporit: “Mos ngurro të vish tek unë, se do të të shpërblej mirë e do të bëj gjithçka që më kërkon. Eja, pra, e mallkoma këtë popull”». Balaami iu përgjigj shërbëtorëve të Balakut: «Edhe sikur Balaku të më japë shtëpinë e tij plot me argjend e me ar, nuk mund t'i bëj bisht aspak fjalës së Zotit, Perëndisë tim. Prandaj, rrini edhe ju sonte këtu, që të marr vesh se mos Zoti më thotë tjetër gjë». Perëndia erdhi natën te Balaami e i tha: «Nëse këta njerëz kanë ardhur për të të ftuar, ngrihu e shko me ta, por do të bësh vetëm siç të them». Kështu, Balaami u ngrit në mëngjes, shaloi gomaren e shkoi me prijësit e Moabit. Perëndia u zemërua që Balaami ishte nisur. Engjëlli i Zotit zuri vend në rrugë që t'i kundërvihej. Balaami i kishte hipur gomares dhe me të ishin dy shërbëtorë. Kur pa engjëllin e Zotit që kishte zënë vend në rrugë me shpatë zhveshur në dorë, gomarja e la rrugën e filloi të ecte në arë. Atëherë Balaami e rrahu gomaren që ta kthente në rrugë. Pastaj engjëlli i Zotit qëndroi në një rrugicë mes vreshtave të rrethuara me ledhe nga të dyja anët. Gomarja, kur pa engjëllin e Zotit, u ngjesh pas ledhit dhe Balaamit iu shtyp këmba. Kështu, ai e rrahu sërish. Engjëlli i Zotit doli përsëri dhe qëndroi në një vend të ngushtë ku nuk mund të shmangej as djathtas, as majtas. Gomarja, kur e pa engjëllin e Zotit, u shtri përtokë me Balaamin sipër saj. Ai u zemërua dhe e rrahu me shkop. Atëherë Zoti ia hapi gojën gomares dhe ajo i tha Balaamit: «Çfarë të kam bërë që më rrahe tri herë?». Balaami i tha gomares: «Sepse po luan me mua. Po ta kisha shpatën me vete do të të kisha vrarë me kohë». Gomarja iu përgjigj: «A nuk jam unë gomarja jote që ke ngarë tërë jetën deri më sot? A të jam sjellë ndonjëherë kështu?». Ai tha: «Jo». Atëherë Zoti ia çeli sytë Balaamit dhe ai e pa engjëllin e Zotit që kishte zënë vend në rrugë me shpatë zhveshur në dorë. Ai uli kryet e u përkul. Engjëlli i Zotit i tha: «Përse e rrahe gomaren tënde tri herë. Isha unë që t'u kundërvura, sepse për mua kjo është rrugë pa krye. Gomarja më pa e m'u shmang tri herë. Nëse nuk do të më shmangej, tashmë ty do të të kisha vrarë e atë do ta kisha lënë gjallë». Balaami i tha engjëllit të Zotit: «Kam mëkatuar! Nuk e dija se ma kishe zënë ti rrugën. Nëse ky udhëtim është i lig për ty, do të kthehem». Engjëlli i Zotit i tha Balaamit: «Shko me ta, por do të thuash vetëm fjalët që do të të them unë». Kështu, Balaami shkoi me princat e Balakut. Balaku, kur dëgjoi se po vinte Balaami, doli për ta takuar në Ir Moab, në kufirin më të skajshëm me Arnonin. Balaku i tha Balaamit: «A nuk të çova lajmëtarë për të të ftuar? Përse ngurrove të vije? A thua nuk jam në gjendje të ta shpërblej?». Balaami iu përgjigj: «Ja, erdha, po a thua do të mund të flas si dua? Do të them vetëm fjalët që Perëndia do të më vërë në gojë». Atëherë Balaami shkoi me Balakun dhe arritën në Kirjat Hucot. Balaku flijoi qe e dhen dhe ua dërgoi Balaamit e prijësve që ishin me të. Të nesërmen në mëngjes Balaku e mori Balaamin dhe e çoi në Bamot Baal. Prej andej, ai pa skajet e fushimit të popullit. Atëherë Balaami i tha Balakut: «Më ndërto këtu shtatë altarë e më përgatit shtatë dema e desh». Balaku bëri siç i tha Balaami dhe kushtuan nga një dem e nga një dash në çdo altar. Pastaj Balaami i tha Balakut: «Rri përkrah flisë së shkrumbimit sa të shkoj, se ndoshta Zoti më takon. Çfarëdo fjale që të më zbulojë do të ta tregoj». Kështu, ai u ngjit më lart. Perëndia u takua me Balaamin dhe Balaami i tha: «Përgatita shtatë altarë e në secilin prej tyre kushtova si fli shkrumbimi nga një dem e nga një dash». Zoti i vuri fjalët në gojë Balaamit e i tha: «Kthehu te Balaku e thuaji kështu». Ai u kthye te Balaku që po qëndronte përkrah flisë së shkrumbimit bashkë me tërë prijësit e Moabit. Atëherë Balaami ia nisi këngës: «Prej Aramit më solli Balaku, mbreti i Moabit, i bjeshkëve të lindjes. Eja e mallkoma Jakobin. Eja e nëm Izraelin. Si të mallkoj kë Perëndia s'mallkon? Si të nëm kë Zoti s'nëm? E shoh prej majave të shkrepave, prej kodrave e sodis. Ja, një popull që i vetëm banon e mes kombeve nuk përzihet. Kush mund të numërojë pluhurin e Jakobit, apo të katërtën e Izraelit. Vdeksha me vdekjen e të drejtëve, fundi im qoftë si i tyre». Atëherë Balaku i tha Balaamit: «Ç'më bëre? Të thirra të m'i mallkosh armiqtë, por ti veç po i bekon!». Ai iu përgjigj: «A thua të mos flas atë që Zoti më vë në gojë?». Pastaj Balaku i tha: «Eja me mua në një vend tjetër prej ku mund të shohësh popullin. Nuk do ta shohësh dot të gjithin, por vetëm një pjesë të tij. Prej andej do të ma mallkosh». Ai e çoi Balaamin te fusha e Cofimit, në majë të Pisgahut. Ndërtoi shtatë altarë dhe në secilën prej tyre kushtoi nga një dem e nga një dash. Pastaj Balaami i tha: «Rri këtu përkrah flisë së shkrumbimit sa të shkoj të takohem me Zotin». Zoti u takua me Balaamin, i vuri fjalët në gojë e i tha: «Kthehu te Balaku e thuaji kështu». Ai u kthye te Balaku që po qëndronte përkrah flisë së shkrumbimit bashkë me tërë prijësit e Moabit. Atëherë Balaami ia nisi këngës: «Ngrihu Balak, e dëgjo, vëma veshin, o biri i Ciporit. Perëndia s'është njeri, që të rrejë, s'është si njerëzia, që të ndërrojë mendje! A thua ai flet, por s'bën gjë, jep fjalën, por s'e mban? Ja, m'u tha që të bekoj, e kur ai bekon, s'e kthej dot. Fatkeqësi s'duket për Jakobin, as mynxyrë s'shihet për Izraelin. Me të është Zoti, Perëndia i tij, që si mbret brohoritet mes popullit. Si brirë demi të egër e ka Perëndinë që nga Egjipti e shpëtoi. Ndaj nuk ka ogur te Jakobi, as shorti në Izrael, tani thuhet për Jakobin e Izraelin: “Ç'vepra ka bërë Perëndia”. Ja një popull që si luaneshë ngrihet e porsi luan çohet në këmbë, që nuk ulet pa përlarë prenë e pa pirë gjakun e kufomave». Atëherë Balaku i tha Balaamit: «Për t'i mallkuar, nuk po i mallkon. Të paktën mos i beko!». Ai iu përgjigj: «A nuk të thashë se do të bëj gjithçka që më thotë Zoti?». Balaku i tha Balaamit: «Eja të të çoj në një vend tjetër. Ndoshta do t'i pëlqejë Perëndisë që të m'i mallkosh prej andej». Kështu, e çoi Balaamin në majë të Peorit prej nga shihej Jishmoni. Pastaj Balaami i tha: «Më ndërto këtu shtatë altarë e më përgatit shtatë dema e desh». Balaku bëri siç i tha Balaami. Ai kushtoi nga një dem e nga një dash në çdo altar. Balaami, kur pa se i pëlqeu Zotit ta bekojë Izraelin, nuk shkoi si herët e tjera për të kërkuar ndonjë ogur. Qëndroi me fytyrë nga shkretëtira, ngriti sytë e soditi Izraelin që fushonte sipas fiseve. Atëherë shpirti i Perëndisë erdhi mbi të e Balaami ia nisi këngës: «Kumti i Balaamit, birit të Beorit, kumti i burrit symprehtë. Kumti i atij, që dëgjon fjalët e Perëndisë, që syhapur bie përmbys e sheh vegimet e të gjithëpushtetshmit. Sa të bukura tendat e tua, o Jakob, banesat e tua, o Izrael. Porsi palmat që shtrihen radhë, porsi pemishtet anë lumit, porsi aloet e mbjella nga Zoti, porsi cedrat buzë ujit. Nga kovat ujë do t'i gurrojë e farës së tij uji s'do t'i mungojë. Më lart se Agagu mbreti i tij do të ngrihet, mbretëria e tij do të lartësohet. Si brirë demi të egër e ka Perëndinë që nga Egjipti e shpëtoi. Ai i përpin kombet, armiqtë e tij. Eshtrat ua thërmon, me shigjeta i dërrmon. Kruspet, shtrihet porsi luan, e kush guxon ta zgjojë? I bekuar është ai që të bekon, i mallkuar ai që të mallkon». Atëherë Balakut iu ndez zemërimi kundër Balaamit e duke rrahur duart i tha: «Të thirra të m'i mallkosh armiqtë, kurse ti ke tri herë që veç i bekon. Prandaj, ik nga erdhe! Të thashë se do të të shpërbleja mirë, por ja që Zoti të la pa shpërblim». Balaami iu përgjigj: «Po a nuk u thashë edhe unë lajmëtarëve që më dërgove: “Edhe sikur Balaku të më japë shtëpinë e tij plot me argjend e me ar, vetë nuk mund t'i bëj bisht aspak fjalës së Zotit. Do të them vetëm atë që më thotë Zoti ”. Tani do të kthehem te populli im, por më parë më lër të të lajmëroj se çfarë do t'i bëjë në të ardhmen ky popull popullit tënd». Atëherë ia nisi këngës: «Kumti i Balaamit, birit të Beorit, kumti i burrit symprehtë. Kumti i atij që dëgjon fjalët e Perëndisë, që njeh udhët e të Tejlartit, që syhapur bie përmbys, e sheh vegimet e të gjithëpushtetshmit. E shoh, por jo tash, e vërej, por jo afër, një yll që del nga Jakobi, një skeptër që ngrihet nga Izraeli. Ia plas tëmthat Moabit, e kryet bijve të Setit. Edomi do të zaptohet, Seiri do të zaptohet nga armiqtë, por Izraeli trimërohet. Dikush nga Jakobi sundon e banorët që mbijetojnë ai i shkatërron». Pastaj vështroi drejt Amalekut e ia nisi këngës: «I pari mes kombeve ishte Amaleku, por në fund shkatërrimi i plotë e pret». Pastaj vështroi drejt Kenitit e ia nisi këngës: «Të sigurt e ke banesën e mbi shkrepa folenë e vendose, por Kaini është caktuar për t'u djegur. Sa gjatë do të të mbajë Ashuri në robëri?». Ai vijoi këngën: «Mjerë! Kush do të rrojë kur Perëndia ta bëjë këtë? Prej Kitimi dalin anije, Ashurin shkretojnë, Eberin shkretojnë, por në fund do të shkatërrohet ai vetë». Atëherë Balaami u ngrit e u kthye në vendlindje. Edhe Balaku shkoi udhës së vet. Kur Izraeli qëndroi në Shitim, populli filloi të kurvëronte me bijat e Moabit. Ato e grishën popullin të merrnin pjesë në flitë kushtuar perëndive të tyre. Populli hëngri prej flive dhe adhuroi perënditë e tyre. Kështu, Izraeli ndoqi Baalpeorin dhe Zoti u zemërua me të. Ai i tha Moisiut: «Merri të gjithë krerët e popullit e vari në mes të ditës para Zotit, që të largohet zemërimi i Zotit nga Izraeli». Atëherë Moisiu u tha gjyqtarëve të Izraelit: «Secili nga ju të vrasë njerëzit e vet që ndoqën Baalpeorin». Ndërkohë një izraelit solli te të afërmit një midianite mu para syve të Moisiut e të gjithë bashkësisë që po qanin te hyrja e tendës së takimit. Kur e pa, Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të priftit Aron, u ngrit nga bashkësia, mori në dorë një heshtë dhe e ndoqi izraelitin deri te tenda. Pastaj i shporoi të dy në baqth, izraelitin e midianiten. Atëherë plaga kundër Izraelit u ndal. Megjithatë, nga plaga u vranë njëzet e katër mijë veta. Zoti i tha Moisiut: «Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të priftit Aron, e largoi zemërimin tim prej Izraelit. Ai u tregua i zellshëm për mua e kështu nuk u dhashë fund izraelitëve për shkak të zellit tim. Prandaj thuaj: ja, po i jap besëlidhjen time të paqes atij dhe pasardhësve të tij. Ajo është besëlidhja e përhershme e priftërisë, sepse ai u tregua i zellshëm për Perëndinë e tij dhe e shleu mëkatin e izraelitëve». Izraeliti që u vra për shkak të midianites quhej Zimri, biri i Saluit, prijësit të fisit të Simeonit. Gruaja midianite që u vra quhej Kozba, bija e Curit, kreut të një fisi të Midianit. Zoti i tha Moisiut: «Kundërvihuni midianitëve e sulmojini, sepse dolën kundër jush me dredhi, duke ju mashtruar në çka ngjau në Peor e me motrën e tyre Kozbën, bijën e prijësit të Midianit. Ajo u vra në ditën e plagës për shkak të ngjarjes në Peor». Pastaj, pas plagës, Zoti i tha Moisiut dhe Eleazarit, birit të priftit Aron: «Numëroni sipas familjeve të etërve, nga mosha njëzet vjeç e sipër tërë bashkësinë e Izraelit, tërë ata që janë të aftë për luftë». Kur izraelitët ishin në stepat e Moabit, pranë Jordanit kundruall Jerikosë, Moisiu e prifti Eleazar u thanë: «Numëroni këdo që është njëzet vjeç e sipër, siç e urdhëroi Zoti Moisiun». Këta ishin izraelitët që dolën nga toka e Egjiptit: Rubeni, i parëlinduri i Izraelit. Bijtë e Rubenit ishin klani i enokitëve që rrjedh prej Enokut, klani i paluitëve që rrjedh prej Paluit, klani i hecronitëve që rrjedh prej Hecronit dhe klani i harmitëve që rrjedh prej Harmiut. Këto ishin klanet e rubenitëve që numëronin dyzet e shtatë mijë e shtatëqind e tridhjetë vetë. Biri i Paluit ishte Eliabi. Bijtë e Eliabit ishin Nemueli, Datani e Abirami. Datani e Abirami ishin ata që përfaqësuan bashkësinë që iu kundërvu Moisiut e Aronit, kur iu bashkuan bashkësisë së Koreut e iu kundërvunë Zotit. Kjo bashkësi vdiq kur toka hapi gojën e i përpiu bashkë me Koreun. Zjarri përpiu dyqind e pesëdhjetë burra që u bënë shembull. Megjithatë, bijtë e Koreut nuk vdiqën. Këta janë bijtë e Simeonit sipas klaneve: klani i nemuelitëve që rrjedh prej Nemuelit, klani i jaminitëve që rrjedh prej Jaminit, klani i jakinitëve që rrjedh prej Jakinit, klani i zerahitëve që rrjedh prej Zerahut dhe klani i saulitëve që rrjedh prej Saulit. Këto ishin klanet e simeonitëve që numëronin njëzet e dy mijë e dyqind vetë. Këta ishin bijtë e Gadit sipas klaneve: klani i cefonitëve që rrjedh prej Cefonit, klani i hagitëve që rrjedh prej Hagiut, klani i shunitëve që rrjedh prej Shuniut, klani i oznitëve që rrjedh prej Ozniut, klani i eritëve që rrjedh prej Erit, klani i aroditëve që rrjedh prej Arodit dhe klani i arelitëve që rrjedh prej Arielit. Këto ishin klanet e bijve të Gadit që numëronin dyzet mijë e pesëqind vetë. Bijtë e Judës ishin Eri e Onani. Ata vdiqën në tokën e Kanaanit. Këta ishin bijtë e Judës sipas klaneve: klani i shelahitëve që rrjedh prej Shelahut, klani i perecitëve që rrjedh prej Perecit dhe klani i zerahitëve që rrjedh prej Zerahut. Bijtë e Perecit ishin klani i hecronitëve që rrjedh prej Hecronit dhe klani i hamulëve që rrjedh prej Hamulit. Këto ishin klanet e Judës që numëronin shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind vetë. Këta ishin bijtë e Isaharit sipas klaneve: klani i tolaitëve që rrjedh prej Tolait, klani i punitëve që rrjedh prej Puahut, klani i jashubitëve që rrjedh prej Jashubit dhe klani i shimronitëve që rrjedh prej Shimronit. Këto ishin klanet e Isaharit që numëronin gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind vetë. Këta ishin bijtë e Zabulonit sipas klaneve: klani i sereditëve që rrjedh prej Seredit, klani i elonitëve që rrjedh prej Elonit dhe klani i jahlelitëve që rrjedh prej Jahlelit. Këto ishin klanet e zabulonitëve që numëronin gjashtëdhjetë mijë e pesëqind vetë. Bijtë e Jozefit sipas klaneve ishin Manaseu dhe Efraimi. Bijtë e Manaseut ishin klani i makiritëve që rrjedh prej Makirit. Atij i lindi Gileadi prej nga rrjedh klani i gileadëve. Këta ishin bijtë e Gileadit: klani i jezeritëve që rrjedh prej Jezerit, klani i helekitëve që rrjedh prej Helekut, klani i asrielitëve që rrjedh prej Asrielit, klani i shekemitëve që rrjedh prej Shekemit, klani i shemidaitëve që rrjedh prej Shemidait dhe klani i heferitëve që rrjedh prej Heferit. Celofehadi, biri i Heferit, nuk pati bij, por vetëm bija. Ato quheshin Mahla, Noa, Hogla, Milka e Tirca. Këto ishin klanet e Manaseut që numëronin pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind vetë. Këta ishin bijtë e Efraimit sipas klaneve: klani i shutelahitëve që rrjedh prej Shutelahut, klani i bekeritëve që rrjedh prej Bekerit dhe klani i tahanitëve që rrjedh prej Tahanit. Bijtë e Shutelahut ishin klani i eranitëve që rrjedh prej Eranit. Këto ishin klanet e bijve të Efraimit që numëronin tridhjetë e dy mijë e pesëqind vetë. Këta ishin bijtë e Jozefit sipas klaneve. Këta ishin bijtë e Benjaminit sipas klaneve: klani i belaitëve që rrjedh prej Belait; klani i ashbelitëve që rrjedh prej Ashbelit; klani i ahiramitëve që rrjedh prej Ahiramit; klani i shefufamitëve që rrjedh prej Shefufamit dhe klani i hupamitëve që rrjedh prej Hupamit. Bijtë e Belait ishin Aredi e Namani prej nga rrjedhin klani i areditëve dhe i namanitëve. Këta ishin bijtë e Benjaminit sipas klaneve që numëronin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind vetë. Bijtë e Danit sipas klaneve ishin klani i shuhamitëve që rrjedh prej Shuhamit. Këto ishin klanet e Danit. Gjithë klani i shuhamitëve numëronte gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind vetë. Bijtë e Asherit sipas klaneve ishin klani i imnahitëve që rrjedh prej Imnahut, klani i ishvitëve që rrjedh prej Ishviut dhe klani i berjahitëve që rrjedh prej Berjahut. Bijtë e Berjahut ishin klani i heberitëve që rrjedh prej Heberit dhe klani i malkielitëve që rrjedh prej Malkielit. Bija e Asherit quhej Sara. Këto ishin klanet e bijve të Asherit që numëronin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind vetë. Bijtë e Neftaliut sipas klaneve ishin klani i jahcelitëve që rrjedh prej Jahcelit, klani i gunitëve që rrjedh prej Guniut, klani i jeceritëve që rrjedh prej Jecerit dhe klani i shilemitëve që rrjedh prej Shilemit. Këto ishin klanet e Neftaliut që numëronin dyzet e pesë mijë e katërqind vetë. Izraelitët gjithsej numëronin gjashtëqind e një mijë e shtatëqind e tridhjetë vetë. Zoti i tha Moisiut: «Toka të ndahet për pronë mes tyre sipas numrit të anëtarëve. Ata që kanë shumë anëtarë do të trashëgojnë më shumë dhe ata që kanë pak anëtarë do të trashëgojnë më pak. Secilit do t'i jepet për pronë sipas numrit të regjistrit. Veçse toka të caktohet me short sipas emrave të fiseve. Trashëgimia e tyre të ndahet me short si për fiset e mëdha, edhe për të voglat». Ky është regjistri i levitëve sipas klaneve: klani i gershonitëve që rrjedh prej Gershonit, klani i kohatitëve që rrjedh prej Kohatit dhe klani i meraritëve që rrjedh prej Merarit. Këto janë klanet e Levit: klani i libnitëve, klani i hebronitëve, klani i mahlitëve, klani i mushitëve dhe klani i korahitëve. Kohatit i lindi Amrami. Gruaja e Amramit quhej Johebeda, bija e Levit që i lindi në Egjipt. Ajo i lindi Amramit Aronin, Moisiun e Mirjamën, motrën e tyre. Aronit i lindi Nadabi, Abihui, Eleazari e Itamari. Nadabi e Abihui vdiqën kur i paraqitën Zotit zjarr të ndaluar. Ata numëronin njëzet e tre mijë meshkuj njëmuajsh e sipër. Ata nuk u përfshinë në regjistrin e izraelitëve e as nuk morën pronë mes tyre. Ky ishte regjistri i izraelitëve që Moisiu e prifti Eleazar përpiloi kur ishin në stepat e Moabit, pranë Jordanit, kundruall Jerikosë. Nuk gjendej ndër ta asnjë izraelit që ishte regjistruar më parë nga Moisiu e prifti Aron kur ishin në Sina, sepse Zoti u pati thënë se do të vdisnin të gjithë në shkretëtirë dhe se askush nuk do të mbetej gjallë, përveç Kalebit, birit të Jefunehut dhe Jozuehut, birit të Nunit. Atëherë u afruan bijat e Celofehadit, birit të Heferit, të birit të Gileadit, të birit të Makirit, të birit të Manaseut, nga fisi i Manaseut, që ishte biri i Jozefit. Bijat quheshin Mahla, Noa, Hogla, Milka e Tirca. Ato qëndruan para Moisiut, priftit Eleazar, prijësve e para tërë bashkësisë në të hyrë të tendës së takimit dhe thanë: «Ati ynë vdiq në shkretëtirë. Ai nuk ishte pjesë e bashkësisë së Koreut, që u mblodh kundër Zotit, por vdiq për faj të vet. Ai nuk pati djem. Përse të shuhet emri i atit tonë prej fisit të tij, vetëm se nuk pati djem? Na jep, pra, një pronë mes vëllezërve të atit tonë!». Moisiu e paraqiti çështjen e tyre para Zotit dhe Zoti i tha: «Kërkesa e bijave të Celofehadit është e drejtë. Jepu pronë për trashëgimi mes vëllezërve të atit të tyre që të trashëgojnë pronën e atit të tyre. Thuaju edhe izraelitëve: “Nëse dikush vdes pa pasur bir, trashëgimia t'i kalojë të bijës. Nëse nuk ka bija, t'u jepet të vëllezërve. Nëse nuk ka vëllezër, t'u jepet vëllezërve të atit të tij. Nëse as ati i tij nuk ka vëllezër, t'i jepet farefisit më të afërt dhe ai do ta zotërojë”. Ky të jetë rregull gjykimi për izraelitët, siç e urdhëroi Zoti Moisiun». Zoti i tha Moisiut: «Ngjitu në malin Abarim dhe vështro tokën që u kam dhënë izraelitëve. Pasi ta shohësh, do të vdesësh edhe ti. Do të varrosesh me popullin tënd, ashtu siç u varros edhe Aroni, vëllai yt, sepse kur bashkësia u grind në shkretëtirën e Cinit, ju u ngritët kundër fjalës sime e nuk më shenjtëruat para tyre tek ujërat e Meribës së Kadeshit, në shkretëtirën e Cinit». Moisiu i tha Zotit: « Zoti, Perëndia që i jep jetë çdo qenieje, të caktojë dikë në krye të bashkësisë, që t'i dalë para e t'i prijë, ta drejtojë e ta udhëheqë, që bashkësia e Zotit të mos jetë si dhentë pa bari». Zoti i tha: «Merre Jozuehun, birin e Nunit, një njeri me shpirt, dhe vër duart mbi të. Sille para priftit Eleazar e para tërë bashkësisë dhe në prani të tyre caktoje prijës. Le të gëzojë lavdinë tënde, që bashkësia e izraelitëve ta dëgjojë, por ai do të paraqitet te prifti Eleazar, i cili do të pyesë Zotin për të me anë të urimeve. Jozuehu dhe gjithë bashkësia e izraelitëve do të drejtohet sipas fjalës së Eleazarit». Moisiu bëri siç i tha Zoti. E mori Jozuehun dhe e solli para priftit Eleazar e para tërë bashkësisë. Vuri duart mbi të dhe e caktoi prijës siç kishte thënë Zoti përmes Moisiut. Zoti i tha Moisiut: «Urdhëroji izraelitët e thuaju: “Kini kujdes që flinë time, flinë erëkëndshme të zjarrit të ushqimit tim, të ma kushtoni në kohën e duhur”. Thuaju: “Kjo është flija e zjarrit që do t'i paraqitni përherë Zotit: paraqitni përditë nga dy qengja motakë e të patëmetë si fli shkrumbimi. Njërin kushtoje në mëngjes e tjetrin në mbrëmje, bashkë me një kilogram majë mielli, si fli drithi të përzier me një litër vaj të shtrydhur. Kjo është flija e përhershme e shkrumbimit që u bë në malin e Sinait, një fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Flija përkatëse e stërpikjes, të jetë një litër për çdo qengj. Flija e stërpikjejes, që është pije dehëse, t'i kushtohet Zotit në shenjtërore. Qengjin e dytë kushtoje në mbrëmje e bashkë me të kushto të njëjtat fli drithi e stërpikjeje si ato të mëngjesit. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin ”. Ditën e shtunë kushto dy qengja motakë të patëmetë bashkë me dy kilogramë majë mielli, si fli drithi të përzier me vaj dhe flinë e stërpikjes. Kjo fli shkrumbimi e së shtunës, që kushtohet çdo të shtunë, i shtohet flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të stërpikjes. Në fillim të çdo muaji paraqitini Zotit si fli shkrumbimi dy dema, një dash e shtatë qengja motakë të patëmetë. Flija e drithit të jetë tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për çdo dem, dy kilogramë për çdo dash dhe një kilogram për çdo qengj. Kjo është fli erëkëndshme shkrumbimi, fli zjarri për Zotin. Flija përkatëse e stërpikjes të jetë dy litra verë për dem, një litër e gjysmë për dash e një litër për qengj. Kjo është fli shkrumbimi që kushtohet muaj për muaj gjatë gjithë vitit. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të stërpikjes, t'i kushtohet Zotit edhe një cjap si fli mëkati. Pashka e Zotit është në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. Dita e pesëmbëdhjetë e po këtij muaji të jetë ditë e kremte. Për shtatë ditë të hahet bukë e ndorme. Në ditën e parë të mbahet një mbledhje e shenjtë. Atë ditë mos punoni. Paraqitini Zotit si fli zjarri shkrumbimi dy dema, një dash e shtatë qengja motakë. Ata të jenë të patëmetë. Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni nga tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për çdo dem, dy kilogramë për çdo dash dhe një kilogram për secilin qengj. Kushtoni edhe një cjap si fli mëkati për shlyerjen e mëkatit tuaj. Këto i shtohen flisë së shkrumbimit të mëngjesit që kushtohet përherë. Kështu veproni përditë gjatë shtatë ditëve. Kjo fli drithi, fli erëkëndshme zjarri për Zotin, i shtohet flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të stërpikjes. Ditën e shtatë mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë mos shërbeni. Në ditën e prodhimeve të para, në festën e Javëve, kur t'i paraqitni Zotit flinë e drithit të parë, mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë mos punoni. Paraqitini Zotit si fli erëkëndshme shkrumbimi, dy dema, një dash e shtatë qengja motakë. Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për çdo dem, dy kilogramë për çdo dash dhe një kilogram për secilin qengj. Kushtoni edhe një cjap si fli mëkati për shlyerjen e mëkatit tuaj. Këto i shtohen flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes. Ato të jenë të patëmetë. Ditën e parë të muajit të shtatë mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë mos shërbeni. Atë ditë do t'u bini trumbetave. Kushtojini Zotit si fli erëkëndshme shkrumbimi, një dem, një dash e shtatë qengja motakë të patëmetë. Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për demin, dy kilogramë për dashin dhe një kilogram për secilin qengj. Kushtoni edhe një cjap si fli mëkati për shlyerjen e mëkatit tuaj. Kjo fli erëkëndshme zjarri për Zotin i shtohet flisë mujore të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit, flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes që kushtohen sipas ritit. Ditën e dhjetë të po këtij muaji të shtatë, mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë përuleni veten e mos bëni asnjë punë. Paraqitini Zotit si fli erëkëndshme shkrumbimi, një dem, një dash e shtatë qengja motakë. Ata të jenë të patëmetë. Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për demin, dy kilogramë për dashin dhe një kilogram për secilin qengj. Përveç flisë për shlyerjen e mëkatit, flisë së përhershme të shkrumbit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë mbani një mbledhje të shenjtë. Atë ditë mos shërbeni. Kremtoni për shtatë ditë në nder të Zotit. Paraqitini Zotit si fli shkrumbimi, si fli erëkëndshme zjarri, trembëdhjetë dema, dy desh e katërmbëdhjetë qengja. Ata të jenë të patëmetë. Për flinë përkatëse të drithit, kushtoni tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj për secilin dem, dy kilogramë për secilin dash dhe një kilogram për secilin qengj. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e dytë kushtoni dymbëdhjetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e tretë kushtoni njëmbëdhjetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja të patëmetë, bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e katërt kushtoni dhjetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e pestë kushtoni nëntë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e gjashtë kushtoni tetë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e shtatë kushtoni shtatë dema, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë të patëmetë, bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit e numrit të duhur. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Ditën e tetë mbani një mbledhje festive. Atë ditë mos shërbeni. Paraqitini Zotit si fli shkrumbimi, si fli erëkëndshme zjarri, një dem, një dash e shtatë qengja motakë të patëmetë bashkë me flinë përkatëse të drithit e të stërpikjes për secilin. Të kushtohen sipas ritit dhe numrit të duhur. Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit e flisë përkatëse të drithit e të stërpikjes, kushtoni edhe një cjap si fli mëkati. Këto do t'i kushtoni Zotit në të kremtet tuaja, përveç flive të shkrumbimit, të drithit, të stërpikjes e të paqtimit, që i kushtoni si fli kushti e si fli vullnetare». Moisiu u tha izraelitëve gjithçka që i kishte urdhëruar Zoti. Atëherë Moisiu u tha prijësve të fiseve të izraelit: «Ja çfarë urdhëron Zoti: kushdo që i zotohet Zotit ose betohet që të përmbushë ndonjë kusht, të mos e shkelë fjalën e dhënë, por ta çojë atë në vend. Kur një grua i zotohet Zotit ose bën ndonjë kusht ndërkohë që është e re dhe jeton në shtëpinë e të atit, nëse i ati dëgjon për zotimin dhe kushtin e saj e nuk i bën zë, atëherë të gjitha zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të vlefshme. Por nëse e ndalon kur dëgjon për to, zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të pavlefshme dhe Zoti do ta falë, sepse i ati e ndaloi. Kur martohet pasi është zotuar apo pasi ka bërë ndonjë kusht me mendjelehtësi, nëse i shoqi dëgjon për to e nuk i bën zë, atëherë zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të vlefshme. Por nëse ai e ndalon kur dëgjon për to, atëherë ai do të zhbëjë zotimin dhe kushtin e bërë me mendjelehtësi prej saj dhe Zoti do ta falë. Ndërsa të gjitha zotimet, të gjitha kushtet e bëra nga një vejushë apo nga një e ndarë do të jenë të vlefshme. Kur ajo është në shtëpinë e të shoqit dhe zotohet e betohet për të përmbushur ndonjë kusht, nëse i shoqi dëgjon për to, por nuk i bën zë dhe nuk e ndalon, atëherë të gjitha zotimet dhe kushtet e bëra prej saj janë të vlefshme. Nëse i shoqi i zhbën kur dëgjon për to, atëherë gjithçka për të cilat ajo u zotua e bëri kusht nuk do të jenë të vlefshme. I shoqi i ka zhbërë dhe Zoti do ta falë. I shoqi ka të drejtë të pranojë apo zhbëjë çdo zotim ose kusht që ajo bën për të përulur veten. Nëse i shoqi nuk i bën zë brenda ditës, atëherë ai i ka pranuar të gjitha zotimet dhe kushtet e bëra prej saj. Ato do të jenë të vlefshme, sepse ai nuk i bëri zë ditën kur dëgjoi për to. Nëse i zhbën më vonë, ai do të jetë fajtor në vend të saj». Këto janë rregullat që Zoti i urdhëroi Moisiut në lidhje me burrin e gruan, atin e të bijën, kur ajo është e re dhe jeton ende në shtëpinë e tij. Zoti foli me Moisiun e i tha: «Merr hak prej midianitëve për hir të izraelitëve. Pastaj do të vdesësh e do të varrosesh bashkë me popullin tënd». Moisiu i tha popullit: «Armatosni disa luftëtarë mes jush që t'i bien Midianit e të kryejnë hakmarrjen e Zotit kundër tij. Çdo fis i Izraelit të dërgojë një mijë luftëtarë». Kështu u mblodhën një mijë veta prej çdo fisi të Izraelit, gjithsej dymbëdhjetë mijë luftëtarë. Moisiu i dërgoi këta bashkë me Finehasin, birin e priftit Eleazar. Atij i dorëzoi enët e shenjta dhe trumbetat e kushtrimit. Luftuan kundër Midianit, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe i vranë të gjithë meshkujt. Ata vranë edhe pesë mbretërit e Midianit, Eviun, Rekemin, Curin, Hurin e Rebain. Vranë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit. Izraelitët morën rob gratë e Midianit dhe fëmijët e tyre. Plaçkitën edhe kafshët, bagëtitë e tërë pasurinë e tyre. I dogjën të gjitha qytetet e banuara dhe fushimet e tyre, por prenë që zunë, njerëz e kafshë, e morën me vete. I sollën te Moisiu, te prifti Eleazar dhe te bashkësia e izraelitëve, te fushimi në stepën e Moabit që është pranë Jordanit, kundruall Jerikosë. Atëherë Moisiu, prifti Eleazar e tërë prijësit e bashkësisë u dolën përpara që t'i takonin përjashta fushimit. Moisiu u zemërua me prijësit e ushtrisë, me komandantët e njësive njëmijëshe dhe njësive njëqindëshe që po ktheheshin nga beteja. Ai u tha: «Pse i keni lënë gjallë të gjitha femrat? Ishin ato që, të mësuara nga Balaami, i nxitën izraelitët të tradhtonin Zotin në rastin e Peorit dhe, prandaj, bashkësia e Zotit u godit me plagë. Tani vritini të gjithë fëmijët meshkuj dhe të gjitha gratë që kanë fjetur me ndonjë burrë. Vajzat e reja, që nuk kanë fjetur me ndonjë burrë, lërini gjallë. Qëndroni jashtë fushimit për shtatë ditë. Kushdo që ka vrarë dikë apo ka prekur ndonjë kufomë, të pastrohet ditën e tretë. Pastroni veten, robërit tuaj, të gjitha rrobat, të gjitha orenditë prej lëkure, çdo gjë të punuar me lesh dhie e të gjitha orenditë prej druri». Atëherë prifti Eleazar u tha luftëtarëve që kishin shkuar në luftë: «Ky është rregulli ligjor që Zoti i ka urdhëruar Moisiut: “Arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin, çdo gjë që e duron zjarrin, kalojini nëpër zjarr që të pastrohen. Të pastrohen edhe me ujin e pastrimit. Çdo gjë që nuk e duron zjarrin të lahet me ujë. Ditën e shtatë lani rrobat tuaja, që të jeni të pastër. Atëherë mund të hyni në fushim”». Zoti i tha Moisiut: «Ti, prifti Eleazar dhe krerët e fiseve të bashkësisë numëroni njerëzit dhe kafshët e zëna rob. Ndajini midis luftëtarëve që shkuan në luftë dhe tërë bashkësisë. Nga pjesa që u takon luftëtarëve që shkuan në luftë, merr si tagër për Zotin një kokë për çdo pesëqind njerëz, qe, gomarë e dhen. Këtë merre nga gjysma e tyre dhe jepja priftit Eleazar si dhuratë për Zotin. Nga gjysma tjetër, që u takon izraelitëve, merr një për çdo pesëdhjetë njerëz e kafshë, qofshin ato qe, gomarë apo dhen, e jepua levitëve që kujdesen për shërbesën e tendës së Zotit ». Moisiu e prifti Eleazar bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Shuma përfundimtare e presë së zënë nga luftëtarët ishte gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë dhen, shtatëdhjetë e dy mijë qe, gjashtëdhjetë e një mijë gomarë dhe tridhjetë e dy mijë femra që nuk kishin fjetur me mashkull. Gjysma që u takoi atyre që shkuan në luftë ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dhen, për të cilat tagri i Zotit ishte gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë krerë; tridhjetë e gjashtë mijë qe, për të cilat tagri i Zotit ishte shtatëdhjtë e dy krerë; tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, për të cilat tagri i Zotit ishte gjashtëdhjetë e një krerë; dhe gjashtëmbëdhjetë mijë veta, për të cilat tagri i Zotit ishte tridhjetë e dy vetë. Tagrin e dhuratës së Zotit Moisiu ia dha priftit Eleazar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. Gjysma tjetër që Moisiu e ndau nga pjesa e luftëtarëve, gjysma që i takoi bashkësisë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dhen, tridhjetë e gjashtë mijë qe, tridhjetë mijë e pesëqind gomarë dhe gjashtëmbëdhjetë mijë veta. Nga gjysma e pjesës së izraelitëve, Moisiu mori një kokë për çdo pesëdhjetë njerëz e kafshë. Këto ua dha levitëve që kujdesen për shërbesën e tendës së Zotit, siç e kishte urdhëruar Zoti. Atëherë komandantët e njësive ushtarake njëmijëshe e njëqindëshe iu afruan Moisiut e i thanë: «Ne, shërbëtorët e tu, i numëruan luftëtarët që komandojmë e nuk na mungon asnjëri. Prandaj secili i ka paraqitur Zotit si dhuratë sendet që mblodhi, stoli ari, rrathë këmbësh e duarsh, unaza, vathë e varëse. Këto të shërbejnë para Zotit si shlyerje për jetën tonë». Moisiu dhe prifti Eleazar morën prej tyre çdo lloj stolie të punuar me ar. I gjithë ari që komandantët e njësive njëmijëshe e njëqindëshe i dhuruan Zotit peshonte dyqind kilogramë. Luftëtarët e mbajtën për vete prenë që kishin zënë. Moisiu e prifti Eleazar e morën arin nga komandantët e njësive njëmijëshe e njëqindëshe dhe e sollën te tenda e takimit, që të shërbejë para Zotit si përkujtimore për izraelitët. Bijtë e Rubenit e të Gadit kishin një numër të madh bagëtish. Kur vunë re që toka e Jazerit dhe e Gileadit ishte vend i mirë për blegtori, i thanë Moisiut, priftit Eleazar e prijësve të bashkësisë: «Ataroti, Diboni, Jazeri, Nimrami, Heshboni, Elealehu, Sebami, Neboi e Beoni janë vende që Zoti i goditi përpara syve të bashkësisë së Izraelit. Janë vende për blegtori dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti». E vijuan: «Nëse kemi gjetur hir para jush, jepjani si pronë këtë tokë shërbëtorëve tuaj e mos na kërkoni që të kalojmë përtej Jordanit». Atëherë Moisiu u tha bijve të Gadit e të Rubenit: «A thua vëllezërit tuaj do të shkojnë në luftë, ndërsa ju rrini këtu? Përse i shkurajoni zemrat e izraelitëve që të mos kalojnë në tokën që u ka dhënë Zoti? Kështu vepruan edhe etërit tuaj kur i dërgova nga Kadesh Barnea për të vrojtuar vendin. Shkuan në luginën e Eshkolit dhe, pasi e panë tokën, i shkurajuan izraelitët që të mos shkonin në tokën që u kishte dhënë Zoti. Atë ditë Zoti u zemërua e u betua: “Asnjë njeri njëzet vjeç e sipër që doli nga Egjipti nuk ka për ta parë tokën për të cilën iu betova Abrahamit, Isakut e Jakobit, sepse nuk u treguan besnikë. Vetëm Kalebi, biri i Jefuneh Kenizitit, dhe Jozuehu, biri i Nunit, i mbetën besnikë Zotit ”. Kështu Zoti u zemërua me Izraelin dhe i bëri të endeshin në shkretëtirë për dyzet vjet derisa mori fund e gjithë breznia që u soll keq para tij. Tani ju, pjellë mëkatarësh, po ndiqni shembullin e etërve tuaj, që ta ndizni edhe më shumë zemërimin e Zotit kundër Izraelit. Nëse nuk e ndiqni, Zoti do ta lërë sërish këtë popull në shkretëtirë e ju do të bëheni shkak për shkatërrimin e tyre». Atëherë ata iu afruan e thanë: «Këtu do të ndërtojmë vathë për bagëtitë tona e qytete për fëmijët tanë, por jemi të gatshëm të dalim për luftë në krye të izraelitëve derisa t'i çojmë në vendin e tyre. Fëmijët do t'i lëmë në qytete të fortifikuara nga frika e banorëve të vendit. Nuk do të kthehemi në shtëpitë tona derisa çdo izraelit të marrë për pronë trashëgimin e vet. Ne nuk do tragëshojmë asnjë pjesë nga Jordani e më tej, sepse pjesa jonë është caktuar në anën lindore të Jordanit». Atëherë Moisiu u tha: «Nëse bëni siç thatë, nëse dilni në luftë para Zotit, duke çuar çdo luftëtar që keni përtej Jordanit, derisa Zoti t'i dëbojë armiqtë e vet e vendi t'i nënshtrohet atij e pastaj ktheheni, atëherë do të jeni te pafajshëm para Zotit e Izraelit. Ky vend do t'ju përkasë juve para Zotit. Nëse nuk bëni siç thatë, do të mëkatoni para Zotit dhe dijeni mirë se mëkati juaj do t'ju zërë. Ndërtoni, pra, qytete për fëmijë e vathë për dhen, por fjalën që keni dhënë mbajeni». Atëherë bijtë e Gadit e të Rubenit i thanë Moisiut: «Shërbëtorët e tu do të bëjnë siç urdhëroi imzot. Fëmijët, gratë, bagëtitë e kafshët do të rrinë në qytetet e Gileadit, ndërsa shërbëtorët e tu, të gjithë luftëtarët, do të dalin për luftë para Zotit, siç tha imzot». Moisiu urdhëroi priftin Eleazar, Jozuehun, birin e Nunit dhe krerët e fiseve të Izraelit për këtë gjë e u tha: «Nëse të gjithë luftëtarët e bijve të Gadit e të Rubenit e kalojnë Jordanin bashkë me ju, që të dalin në luftë para Zotit, dhe e nënshtroni vendin, jepuni si pronë tokën e Gileadit. Por nëse nuk kalojnë për luftë bashkë me ju, atëherë do të marrin pronë me ju në tokën e Kanaanit». Bijtë e Gadit e të Rubenit u përgjigjën: «Siç u ka thënë Zoti shërbëtorëve të tu, ashtu do të bëjmë. Do të kalojmë në tokën e Kanaanit për luftë para Zotit, por pjesa e trashëgimisë sonë do të mbesë në këtë anë të Jordanit». Kështu, Moisiu u dha bijve të Gadit e të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manaseut, birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit, mbretit të amoritëve, dhe mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit, tokën me qytetet përkatëse dhe vendin e qyteteve përreth. Bijtë e Gadit ndërtuan Dibonin, Atarotin, Aroerin Aterot Shofatin, Jazerin, Jogbehahun, Bet Nimrahun e Bet Haranin si qytete të fortifikuara e të rrethuara për dhentë. Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin, Elealehun, Kirjataimin, Neboin, Baal Meonin, emri i të cilit u ndryshua, e Sibmahun. Qyteteve që ndërtuan u dhanë emrat e vet. Bijtë e Makirit, birit të Manaseut, shkuan në Gilead, e pushtuan dhe dëbuan amoritët që banonin atje. Atëherë Moisiu i dha Gileadin Makirit, birit të Manaseut, dhe ata banuan atje. Jairi, biri i Manaseut, shkoi e pushtoi fshatrat e tyre e i quajti Havot Jair. Nobahu shkoi e pushtoi Kenatin bashkë me fshatrat e tij dhe e quajti sipas emrit të tij, Nobah. Kjo është udha që ndoqën izraelitët kur dolën nga toka e Egjiptit sipas njësive ushtarake nën udhëheqjen e Moisiut e të Aronit. Moisiu i shkroi vendnisjet e udhëtimit sipas fjalës së Zotit. Këto janë vendnisjet e tyre: Ata u nisën nga Ramsesi në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të parë. Pas ditës së Pashkës, izraelitët dolën me ngadhënjim para syve të të gjithë egjiptianëve, të cilët po varrosnin tërë të parëlindurit që kishte goditur Zoti. Zoti u bëri gjyqin edhe perëndive të tyre. Izraelitët u nisën nga Ramsesi e fushuan në Sukot. U nisën nga Sukoti e fushuan në Etam që është në kufi të shkretëtirës. U nisën nga Etami e u kthyen drejt Pi Hahirotit që është përballë Baal Cefonit. Ata fushuan përballë Migdolit. U nisën nga Pi Hahiroti e kaluan përmes detit drejt shkretëtirës. Udhëtuan tri ditë në shkretëtirën e Etamit e fushuan në Marë. U nisën nga Mara e arritën në Elim, ku kishte dymbëdhjetë burime uji e shtatëdhjetë palma e fushuan aty. U nisën nga Elimi e fushuan pranë detit të Kuq. U nisën nga deti i Kuq e fushuan në shkretëtirën e Sinit. U nisën nga shkretëtira e Sinit e fushuan në Dofkë. U nisën nga Dofka e fushuan në Alush. U nisën nga Alushi e fushuan në Refidim. Atje populli nuk pati ujë për të pirë. U nisën nga Refidimi e fushuan në shkretëtirën e Sinait. U nisën nga shkretëtira e Sinait e fushuan në Kibrot Hatavah. U nisën nga Kibrot Hatavahu e fushuan në Hacerot. U nisën nga Haceroti e fushuan në Ritmah. U nisën nga Ritmahu e fushuan në Rimon Perec. U nisën nga Rimon Pereci e fushuan në Libnah. U nisën nga Libnahu e fushuan në Risah. U nisën nga Risahu e fushuan në Kehelat. U nisën nga Kehelati e fushuan në malin e Sheferit. U nisën nga mali i Sheferit e fushuan në Haradah. U nisën nga Haradahu e fushuan në Makelot. U nisën nga Makeloti e fushuan në Tahat. U nisën nga Tahati e fushuan në Tarah. U nisën nga Tarahu e fushuan në Mitkah. U nisën nga Mitkahu e fushuan në Hashmon. U nisën nga Hashmoni e fushuan në Moserah. U nisën nga Moserahu e fushuan në Bene Jakan. U nisën nga Bene Jakani e fushuan në Hor Hagidgad. U nisën nga Hor Hagidgadi e fushuan në Jotbatah. U nisën nga Jotbatahu e fushuan në Abron. U nisën nga Abroni e fushuan në Ecjon Geber. U nisën nga Ecjon Geberi e fushuan në shkretëtirën e Cinit që është Kadeshi. U nisën nga Kadeshi e fushuan në malin Hor, në kufi të tokës së Edomit. Prifti Aron u ngjit në malin Hor me urdhër të Zotit e aty vdiq. Ishte dita e parë e muajit të pestë të vitit të dyzetë të daljes së izraelitëve nga toka e Egjiptit. Aroni ishte njëqind e njëzet e tre vjeç kur vdiq në malin Hor. Mbreti kananit i Aradit që banonte në Negev, në tokën e Kanaanit, dëgjoi se po vinin izraelitët. Izraelitët u nisën nga mali Hor e fushuan në Calmonë. U nisën nga Calmona e fushuan në Punon. U nisën nga Punoni e fushuan në Obot. U nisën nga Oboti e fushuan në Ijim Abarim, në kufi me Moabin. U nisën nga Ijimi e fushuan në Dibon Gad. U nisën nga Dibon Gadi e fushuan në Almon Diblataim. U nisën nga Almon Diblataimi e fushuan në malet e Abarimit, përballë Neboit. U nisën nga malet e Abarimit e fushuan në stepat e Moabit, pranë Jordanit, kundruall Jerikosë. Fushuan pranë Jordanit, që nga Bet Jeshimoti deri në Abel Shitim, në stepat e Moabit. Zoti i tha Moisiut në stepat e Moabit, pranë Jordanit, kundruall Jerikosë: «Fol me izraelitët e thuaju: “Kur të kaloni Jordanin e të hyni në tokën e Kanaanit, dëbojini tërë banorët e tokës, shkatërrojini të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura, copëtojini të gjitha truporet e metalta e rrënojini të gjitha vendet e larta të kultit të tyre. Zaptojeni tokën e banoni në të, sepse jua kam dhënë juve për pronë. Ndajeni tokën me short ndërmjet fiseve. Fisit më të madh do t'i takojë më shumë e më të voglit më pak. Ajo pjesë që u bie për short do të jetë trashëgimia e tyre. Ndajeni sipas fiseve të etërve. Nëse nuk i dëboni banorët e vendit, ata që do të lini do t'ju bëhen ferrë në sy e gjemb në ijë e do t'ju kundërvihen në vendin që banoni. Atëherë unë do të sillem me ju siç kisha ndër mend të sillesha me ta”». Zoti i tha Moisiut: «Urdhëroji izraelitët e thuaju: “Ja, po hyni në tokën e Kanaanit. Kjo është trashëgimia që do t'ju bjerë për pjesë, toka e Kanaanit me kufijtë e saj: kufiri juaj jugor do të shtrihet nëpër shkretëtirën e Cinit, përbri Edomit. Në juglindje kufiri do të nisë nga skaji i detit të Kripur, do të kthejë drejt jugut në shpatin e Akrabimit e do të përshkojë Cinin derisa të arrijë në jug të Kadesh Barnesë. Pastaj do të vijojë drejt Hacaradarit e do të arrijë Acmonin. Prej Acmonit kufiri do të kthejë drejt luginës së Egjiptit, derisa të dalë në det. Në perëndim do të keni për kufi bregun e detit të Madh. Ai do të jetë kufiri perëndimor. Kufirin verior caktojeni nga deti i Madh deri në malin Hor. Nga mali Hor do të vijoni në Lebo Hamat derisa të arrini në Cedad. Pastaj kufiri do të shtrihet nëpër Zifronë derisa të arrijë Hacar Enanin. Ky do të jetë kufiri juaj verior. Kufirin lindor caktojeni nga Hacar Enani deri në Shefam. Pastaj kufiri të zbresë nga Shefami në Riblah, në anën lindore të Ainit. Prej andej do të vijojë të zbresë derisa të mbërrijë në krahun lindor të detit Kineret. Pastaj do të zbresë përgjatë Jordanit derisa të arrijë detin e Kripur. Toka brenda këtyre kufijve do të jetë e juaja”». Moisiu i urdhëroi izraelitët: «Kjo është toka që do të trashëgoni me short, toka që Zoti urdhëroi t'u jepet nëntë fiseve e gjysmë, sepse fisi i Rubenit, fisi i Gadit e gjysma e fisit të Manaseut e kanë marrë trashëgimin sipas familjeve të etërve. Këto dy fise e gjysmë e morën trashëgimin e tyre në anën lindore të Jordanit, kundruall Jerikosë». Pastaj Zoti i dha Moisiut: «Tokën do t'jua ndajnë prifti Eleazar e Jozuehu, biri i Nunit. Merr edhe nga një prijës për çdo fis për të ndarë tokën. Këta janë emrat e tyre: prej fisit të Judës, Kalebi, biri i Jefunehut; prej fisit të Simeonit, Samueli, biri i Amihudit; prej fisit të Benjaminit, Elidadi, biri i Kislonit; prej fisit të Danit, prijësi Buki, biri i Jogliut; prej bijve të Jozefit, për fisin e Manaseut, prijësi Haniel, biri i Efodit; prej fisin e Efraimit, prijësi Kemuel, biri i Shiftanit; prej fisit të Zabulonit, prijësi Elicafan, biri i Parnakut; prej fisit të Isaharit, prijësi Paltiel, biri i Azanit; prej fisit të Asherit, prijësi Ahiud, biri i Shelomiut; dhe prej fisit të Neftaliut, prijësi Pedahel, biri i Amihudit». Këta janë njerëzit që Zoti urdhëroi për t'u ndarë izraelitëve trashëgiminë në tokën e Kanaanit. Zoti i tha Moisiut në stepat e Moabit, pranë Jordanit, kundruall Jerikosë: «Urdhëroji izraelitët që t'u japin levitëve prej trashëgimisë që zotërojnë disa qytete ku të banojnë. Jepuni edhe kullotat përreth qyteteve. Qytetet t'i kenë për të banuar dhe kullotat përreth për bagëtitë dhe gjithë gjënë e gjallë. Kullotat përreth, që do t'u japësh levitëve, të shtrihen një mijë kute përtej mureve të qytetit. Matni jashtë mureve të qytetit dy mijë kute në krahun lindor, jugor, perëndimor e verior, me qytetin në qendër. Kështu do të caktohen kullotat e qyteteve të tyre. Gjashtë nga qytetet që do t'u jepni levitëve do të jenë qytete strehimi për të strehuar ata që derdhin gjak. Përveç këtyre do t'u jepni edhe dyzet e dy qytete të tjera. Pra, gjithsej do t'u jepni dyzet e tetë qytete bashkë me kullotat përreth. Shumica e qyteteve, që do të jepen prej trashëgimisë së izraelitëve, të merren prej fiseve që kanë më shumë, ndërsa prej fiseve më të vogla të merren më pak. Secili fis do t'u japë levitëve nga qytetet e veta sipas masës së pronës që kanë». Zoti i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: “Kur të kaloni Jordanin në tokën e Kanaanit, zgjidhni për vete disa qytete strehimi, ku të strehoni ata që vrasin dikë padashur. Këto qytete do të shërbejnë si strehim për vrasësin, që të mbrohet nga hakmarrësi e të mos vdesë para se të gjykohet nga bashkësia. Nga gjashtë qytetet që do të caktoni si qytete strehimi, tri të jenë përtej Jordanit e tri në tokën e Kanaanit. Këto gjashtë qytete do të shërbejnë për izraelitët e për të ardhurit mes tyre si strehim për këdo që vret padashur. Nëse ai që vret e godet tjetrin me send të hekurt dhe tjetri vdes, ai është vrasës e do të dënohet me vdekje. Nëse e qëllon me gur dhe tjetri vdes, ai është vrasës e do të dënohet me vdekje. Nëse e godet me send të drunjtë dhe tjetri vdes, ai është vrasës dhe do të dënohet me vdekje. Vetë gjakmarrësi ta vrasë vrasësin porsa t'i dalë përpara. Nëse e shtyn nga mëria dhe e godet me dashje me ndonjë send e tjetri vdes ose e qëllon me grusht nga zemërimi e tjetri vdes, ai është vrasës. Gjakmarrësi ta vrasë porsa t'i dalë përpara. Por nëse e shtyn papritur, pa të keq, ose e godet pa dashje me ndonjë send, apo me gurë, pa e parë, pa e pasur mëri e padashur t'i bëjë keq, dhe tjetri vdes, atëherë bashkësia të gjykojë mes atij që goditi e gjakmarrësit sipas këtyre vendimeve. Bashkësia do ta shpëtojë vrasësin nga dora e gjakmarrësit dhe do ta kthejë në qytetin e strehimit. Ai do të banojë aty derisa të vdesë kryeprifti i vajosur me vajin e shenjtë. Por, nëse vrasësi del përtej kufijve të qytetit të strehimit e gjakmarrësi e gjen jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, atëherë gjakmarrësi është i pafajshëm, sepse vrasësi doli nga qyteti i strehimit ku duhej të banonte derisa të vdiste kryeprifti. Vetëm pasi të vdesë kryeprifti, vrasësi mund të kthehet në vendin e vet. Këto do të jenë rregulla gjykimi brez pas brezi në të gjitha vendbanimet tuaja. Nëse dikush vret dikë e kjo dëshmohet nga disa dëshmitarë, vrasësi të dënohet me vdekje. Dëshmia e një dëshmitari të vetëm nuk do të jetë e mjaftueshme për dënimin me vdekje. Mos pranoni dëmshpërblim për vrasësin që meriton të vdesë. Ai duhet të vdesë. As mos pranoni dëmshpërblim për atë që strehohet në qytetin e strehimit për t'u kthyer në vendin e vet përpara se të vdesë kryeprifti. Mos e ndotni tokën ku banoni, se gjaku e ndot tokën. Toka nuk mund të shlyhet për gjakun e derdhur, përveçse me gjakun e atij që e derdhi. Mos e ndotni vendin ku banoni, sepse unë banoj mes jush. Unë, Zoti, banoj mes izraelitëve”». Krerët e familjeve të Gileadit, birit të Makirit, birit të Manaseut, njëri prej pasardhësve të Jozefit, u afruan te Moisiu, te prijësit e krerët e fiseve të Izraelit e thanë: « Zoti e urdhëroi timzot që t'ua japë me short tokën si trashëgimi izraelitëve. Imzot mori urdhër nga Zoti edhe që t'u jepte trashëgimin e vëllait tonë, Celofehadit, bijave të tij. Nëse ato martohen me një nga fiset e tjera të Izraelit, prona e tyre nuk do t'i përkasë më trashëgimisë së etërve tanë, por do t'u shtohet trashëgimisë së fisit, të cilit tashmë i përkasin. Kështu do të na zvogëlohet trashëgimia që na ra për short. Edhe kur të festohet pesëdhjetëvjetori mes izraelitëve, prona e tyre do t'i shtohet trashëgimisë së fisit, të cilit tashmë i përkasin, ndërkohë që prona e tyre do të merret nga trashëgimia e etërve tanë». Atëherë Moisiu, me urdhër të Zotit, i urdhëroi izraelitët: «Fisi i bijve të Jozefit ka të drejtë. Kjo është çfarë urdhëron Zoti në lidhje me bijat e Celofehadit: ato mund të martohen me kë të duan, për sa kohë që martohen brenda fisit të etërve të tyre. Prona e izraelitëve nuk do të qarkullojë nga fisi në fis, se çdo izraelit do të jetë i lidhur me trashëgimin e fisit të etërve vet. Çdo bijë nga fiset e Izraelit që zotëron pronë do të martohet brenda fisit të atit të saj, në mënyrë që çdo izraelit të zotërojë pronën e etërve të tij. Prona nuk do të qarkullojë nga një fis në tjetrin, se çdo fis i Izraelit do të jetë i lidhur me trashëgimin e vet». Bijat e Celofehadit bënë siç e urdhëroi Zoti Moisiun. Mahla, Tirca, Hogla, Milka e Noa, bijat e Celofehadit, u martuan me djemtë e të ungjëve. Ato u martuan brenda fisit të Manaseut, birit të Jozefit, dhe kështu prona e tyre mbeti në fisin e etërve. Këto janë urdhërimet e vendimet që Zoti u urdhëroi izraelitëve përmes Moisiut në stepat e Moabit, pranë Jordanit, kundruall Jerikosë. Këto janë fjalët që Moisiu i tha tërë Izraelit kur ishin përtej Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, kundruall Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hacerotit dhe Di Zahabit. Udhëtimi prej Horebit deri në Kadesh Barne zgjat njëmbëdhjetë ditë, nëse i bie nga mali i Seirit. Pas dyzet vjetësh, në ditën e parë të muajit të njëmbëdhjetë, Moisiu i tha Izraelit gjithçka urdhëroi Zoti për ta. Kjo ndodhi pasi mundi Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon, dhe pasi mundi në Edrej Ogun, mbretin e Bashanit, që banonte në Ashtarot. Kur ishin përtej Jordanit, në tokën e Moabit, Moisiu filloi të shtjellojë këtë ligj: « Zoti, Perëndia ynë, na tha në malin Horeb: “Mjaft qëndruat në këtë mal. Kthehuni, nisuni e hyni në malësinë e amoritëve dhe në krahinat fqinje, në Arabah, në malësi, në Shefelah, në Negev e në bregdet, në tokën e Kanaanit e të Libanit, deri te lumi i madh Eufrat. Ja, jua kam vënë përpara vendin. Hyni dhe pushtoni tokën që Zoti iu betua t'ua japë etërve tuaj, Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre”. Asokohe ju thashë: “Nuk mund t'ju prij vetëm. Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar dhe sot, ja ku jeni, të shumtë sa yjet e qiellit. Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju shtoftë edhe një mijë herë më shumë e ju bekoftë siç ju ka premtuar, por si do t'i përballoj i vetëm peshën, barrën dhe zënkat tuaja? Zgjidhni, pra, për çdo fis, burra të urtë, të zgjuar e të dijshëm, që t'jua caktoj si krerë”. E ju m'u përgjigjët: “Mirë thua!”. Atëherë i mora krerët e çdo fisi, burrat e urtë e të dijshëm, dhe i vura në krye si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë e të dhjetë vetave dhe si mbikëqyrës të fiseve. Asokohe i urdhërova gjykatësit: “Dëgjojini vëllezërit tuaj e gjykojini me drejtësi, ata dhe të ardhurit mes tyre. Mos mbani anën e askujt. Dëgjojeni si të voglin, edhe të madhin. Mos kini frikë askënd, sepse gjykimi i përket Perëndisë. Çështjet e vështira paraqitini tek unë e unë do t'i dëgjoj”. Asokohe ju urdhërova gjithçka që duhet të bëni. Pastaj u nisëm nga Horebi, siç na urdhëroi Zoti, Perëndia ynë, dhe përshkuam tërë atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, që patë rrugës së malësisë së amoritëve, derisa arritëm në Kadesh Barne. Atëherë ju thashë: “Keni mbërritur në malësinë e amoritëve që po na jep Zoti, Perëndia ynë. Ja, Zoti, Perëndia yt, ta ka vënë përpara tokën. Ngrihu e pushtoje siç të tha Zoti, Perëndia i etërve të tu. Mos ki frikë e mos u tremb!”. Të gjithë ju m'u afruat e më thatë: “Të dërgojmë më parë disa njerëz, që të vëzhgojnë tokën, për të na treguar udhën nëpër të cilën do të ngjitemi dhe qytetet ku do të shkojmë”. Kjo m'u duk gjë e mirë, prandaj zgjodha prej jush dymbëdhjetë veta, nga një për çdo fis. Këta u nisën, iu ngjitën maleve dhe, si mbërritën në luginën e Eshkolit, e përgjuan. Pastaj mblodhën disa fruta të tokës atje, që i sollën me vete, e na sollën këtë lajm: “Toka që po na jep Zoti, Perëndia ynë, është tokë e mirë”. Por ju nuk deshët të shkonit e ngritët krye kundër urdhrit të Zotit, Perëndisë tuaj. Murmuritët në tendat tuaja e thatë: “ Zoti na urren, prandaj edhe na nxori nga toka e Egjiptit, për të na dorëzuar te amoritët, që të na zhbijnë. Ku të ngjitemi? Vëllezërit na e futën frikën, duke thënë: populli i tyre është më i madh e më shtatlartë se i yni. Qytetet janë të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, madje atje vumë re edhe pasardhësit e anakitëve”. Unë ju thashë: “Mos u tmerroni e mos kini frikë prej tyre! Zoti, Perëndia juaj, që ju prin, ai vetë do të luftojë për ju ashtu siç bëri gjithçka për ju në Egjipt e në shkretëtirë, ku patë sesi Zoti, Perëndia juaj, ju mbarti si fëmijë përgjatë gjithë udhës që ndërmorët derisa mbërritët në këtë vend”. Megjithatë, ju nuk i zutë besë Zotit, Perëndisë tuaj, atij që ju prin udhës për t'ju gjetur vendfushim, që natën ju prin me zjarr e ditën me re për t'ju treguar udhën që duhet të ndiqni. Kur Zoti jua dëgjoi zërin, u zemërua e u betua: “Asnjëri prej kësaj breznie të mbrapshtë nuk ka për ta parë tokën e mirë, që u betova t'ua jepja etërve tuaj, përveç Kalebit, birit të Jefunehut. Ai ka për ta parë. Atij e pasardhësve të tij do t'ia jap tokën që shkeli me këmbë, se i qëndroi besnik Zotit ”. Zoti u zemërua edhe me mua për shkakun tuaj e më tha: “As ti nuk ke për të hyrë atje! Jozuehu, biri i Nunit, që të shërben, ka për të hyrë. Jepi zemër, se ai do t'ia japë tokën si trashëgimi Izraelit. Edhe të vegjlit tuaj, për të cilët thatë se do të zihen rob, do të hyjnë bashkë me fëmijët tuaj, që nuk dinë ende të ndajnë të mirën nga e keqja. Atyre do t'ua jap vendin e ata do ta pushtojnë. Ndërsa ju, kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, udhës së detit të Kuq”. Atëherë ju m'u përgjigjët e më thatë: “Mëkatuam kundër Zotit! Do të ngjitemi e do të shkojmë në luftë, siç na urdhëroi Zoti, Perëndia ynë”. Kështu, të gjithë ngjeshët armët e luftës dhe, me mendjelehtësi, iu ngjitët malësisë. Por Zoti më tha: “Thuaju të mos ngjiten e të mos shkojnë në luftë, sepse unë nuk jam mes tyre, prandaj dhe do të munden nga armiqtë”. Unë jua thashë, por ju nuk dëgjuat. Kështu, ngritët krye kundër Zotit e, me kryeneçësi, iu ngjitët malësisë. Atëherë amoritët, malësorët e vendit, dolën për t'u ndeshur. Ju vërsulën si një tufë bletësh e ju shpartalluan nga Seiri deri në Hormah. Pastaj u kthyet e vajtuat para Zotit, por ai nuk ju dëgjoi e as i vuri vesh vajtimit tuaj. Kështu, ndenjët në Kadesh për një kohë të gjatë». «Atëherë u kthyem, u nisëm drejt shkretëtirës, udhës së detit të Kuq, siç më tha Zoti, dhe u sollëm për një kohë të gjatë përreth malit Seir. Pastaj Zoti më tha: “Mjaft u sollët përreth këtij mali. Kthehuni në drejtim të veriut e urdhëroje popullin të kalojë nëpër tokën e pasardhësve të Esaut, vëllezërve tuaj, që banojnë në Seir. Ata do t'ju kenë frikë, por kini shumë kujdes. Mos i ngucni, sepse nuk do t'ju jap asnjë pëllëmbë tokë nga vendi i tyre. Malin e Seirit ia kam dhënë për pronë Esaut. Blijeni prej tyre bukën që hani e ujin që pini. Zoti, Perëndia yt, ka bekuar çdo vepër të duarve të tua. Ai të ka përcjellë në çdo udhëtim nëpër këtë shkretëtirë të madhe. Gjatë këtyre dyzet vjetëve, Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty dhe asgjë nuk të ka munguar”. Kështu i kaluam pasardhësit e Esaut, vëllezërit tanë, që banonin në Seir, duke lënë pas udhën e Arabahut, Ejlatin dhe Ecjon Geberin. Pastaj u kthyem në drejtim të shkretëtirës së Moabit. Atëherë Zoti më tha: “Mos iu kanos Moabit e mos e nguc me luftë, se nuk do të të jap asgjë prej tokës së tyre. Arin ua kam dhënë për pronë pasardhësve të Lotit”. Më parë aty jetonin emitët, një popull i fuqishëm, i madh e shtatlartë si anakitët. Edhe refaitët njiheshin si anakitë, por moabitët i quanin emitë. Në Seir banonin më parë horitët, por pasardhësit e Esaut i dëbuan e i zhbinë dhe tani banojnë në vend të tyre, ashtu siç bëri Izraeli me tokën që Zoti i dha për pronë. Zoti vijoi: “Tani, ngrihuni e kalojeni luginën e Zeredit”. Dhe ne kështu vepruam. Udhëtimi nga Kadesh Barnea derisa kaluam luginën e Zeredit zgjati tridhjetë e tetë vjet, aq sa u zhduk nga fushimi tërë breznia e luftëtarëve, ashtu siç Zoti u ishte betuar. Vërtet, Zoti ngriti dorë kundër tyre për t'i shfarosur nga fushimi derisa morën fund. Si u zhdukën tërë luftëtarët prej mesit të popullit, Zoti më tha: “Sot do të kalosh përmes Arit, përtej kufijve të Moabit. Do t'u afrohesh amonitëve e do t'u dalësh përballë. Mos iu kanos e mos i nguc, se nuk do të ta jap për pronë tokën e amonitëve. Këtë vend ua kam dhënë për pronë pasardhësve të Lotit”. I njëjti vend njihej si toka e refaitëve, të cilët banonin më parë aty. Amonitët i quanin ata zamzumitë. Ishin një popull i fuqishëm, i madh e shtatlartë si anakitët. Zoti i zhbiu, që amonitët t'i dëbonin dhe të banonin në vend të tyre, ashtu siç bëri për pasardhësit e Esaut që banojnë në Seir. Ai i zhbiu horitët, që pasardhësit e Esaut t'i dëbonin e të banonin në vend të tyre gjer më sot. Edhe avitët, banorët e rrethinave pranë Gazës, u zhbinë prej kaftoritëve nga Kaftori, të cilët tani banojnë në vend të tyre. Zoti vijoi: “Ngrihuni, nisuni e kalojeni luginën e Arnonit. Ja, ta kam dorëzuar Sihonin, mbretin amorit të Heshbonit dhe vendin e tij. Fillo ta pushtosh e nguce me luftë. Sot, do të bëj të kenë frikë e tmerr prej teje tërë popujt nën qiell. Kushdo që dëgjon për ty do të dridhet e tmerrohet prej teje”. Atëherë dërgova te Sihoni, mbreti i Heshbonit, disa lajmëtarë nga shkretëtira e Kedmotit e me fjalë paqeje i thashë: “Më lër të kaloj përmes tokës sate. Do të eci rrugës kryesore e nuk do të shmangem as djathtas, as majtas. Ma shit bukën që ha e ujin që pi, vetëm më lër të kaloj, siç më lanë pasardhësit e Esaut, banorët e Seirit, dhe mobaitët, banorët e Arit, që të mbërrij në tokën përtej Jordanit, të cilën po na e jep Zoti, Perëndia ynë”. Por, Sihoni, mbreti i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim, se Zoti, Perëndia yt, ia ngurtësoi shpirtin e zemrën, për të ta dorëzuar, siç është gjer më sot. Zoti më tha: “Ja, fillova të ta dorëzoj Sihonin e tokën e tij. Fillo ta pushtosh e ta zaptosh tokën e tij!”. Atëherë Sihoni, bashkë me gjithë popullin, na doli përpara në Jahac, që të ndeshej me ne. Zoti, Perëndia ynë, na e dorëzoi dhe ne i ramë atij, bijve të tij dhe tërë popullit të tij. Asokohe i zumë të gjitha qytetet e tij dhe i shfarosëm të gjithë, me burra, gra e fëmijë. Nuk lamë gjallë askënd, përveç kafshëve që zumë dhe presë që plaçkitëm prej qyteteve. Që nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit, përfshirë edhe luginën vetë, deri në Gilead, nuk pati asnjë qytet që të ishte tepër i fortë për ne. Zoti, Perëndia ynë, na i dorëzoi të gjitha. Por, ti nuk e preke tokën e amonitëve, krahinën përgjatë luginës së Jabokut, qytetet e malësisë dhe asnjë qytet tjetër që na e ndaloi Zoti, Perëndia ynë». «Pastaj u kthyem e shkuam rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin na doli para në Edrej që të ndeshej me ne. Atëherë Zoti më tha: “Mos e ki frikë, sepse ta kam dorëzuar me gjithë popullin e tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon”. Zoti, Perëndia ynë, na e dorëzoi edhe Ogun, mbretin e Bashanit, bashkë me popullin e tij. U ramë aq fort sa askush nuk shpëtoi. Asokohe i zumë të gjitha qytetet e tij, asnjë nuk na shpëtoi. I zumë të gjashtëdhjetë qytetet dhe mbarë krahinën e Argobit, mbretërinë e Ogut në Bashan. Të gjitha këto ishin qytete të fortifikuara me mure të larta, me porta e me shula. Përveç tyre, zumë edhe mjaft vendbanime të parrethuara. I shfarosëm të gjitha qytetet bashkë me burrat, gratë e fëmijët, siç bëmë me Sihonin, mbretin e Heshbonit, por të gjitha kafshët dhe prenë, që plaçkitëm prej qyteteve, i mbajtëm për vete. Asokohe ua morëm tokën të dy mbretërve amoritë, që ishin përtej Jordanit. Ajo shtrihej nga lugina e Arnonit deri te mali i Hermonit. Sidonasit e quajnë malin Sirion, ndërsa amoritët Senir. Ua morëm të gjitha qytetet e rrafshit, mbarë Gileadin e mbarë Heshbonin, deri në Salkah e në Edrej. Ato ishin qytete të mbretërisë së Ogut, në Bashan. Nga refaitët mbeti gjallë vetëm Ogu, mbreti i Bashanit. Shtrati i tij prej hekuri gjendet në Rabah, te amonitët. Ai ishte nëntë kute i gjatë e katër kute i gjerë, sipas njësisë së zakonshme të kutit. Tokën që pushtuam asohere ia dhashë Rubenit e Gadit. Ajo fillonte nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit, deri te gjysma e malit Gilead, përfshirë edhe qytetet përkatëse. Gjysmën tjetër të Gileadit, mbarë Bashanin, mbretërinë e Ogut dhe mbarë krahinën e Argobit, që quhej vendi i refaitëve, ia dhashë gjysmës së fisit të Manaseut. Jairi, biri i Manaseut, e pushtoi mbarë krahinën e Argobës deri në kufi me Geshurin e Makatin dhe i vuri emrin e vet. Edhe sot e kësaj dite Bashani quhet Havot Jair. Makirit i dhashë Gileadin. Rubenit e Gadit i dhashë vendin prej Gileadit deri buzë luginës së Arnonit, me kufi që shkojnë nga mesi i luginës së Arnonit deri te lugina e Jabokut, në kufi me amonitët. U dhashë edhe Arabahun në kufi me Jordanin, nga Kinereti deri te deti i Arabahut, që është deti i Kripur, nën rrëpirën e Pisgahut në lindje. Asokohe ju urdhërova: “ Zoti, Perëndia juaj, jua dha këtë tokë për pronë. Të gjithë trimat tuaj të marrin armë e t'u prijnë izraelitëve, vëllezërve tuaj. Gratë, fëmijët e bagëtitë, se e di që keni shumë, të rrinë në qytetet që ju dhashë. Kur Zoti t'u japë prehje vëllezërve tuaj, siç ju dha juve, kur ta pushtojnë edhe ata tokën përtej Jordanit, që po u jep Zoti, Perëndia juaj, vetëm atëherë secili prej jush do të kthehet te prona e vet, që ju dhashë”. Asokohe urdhërova edhe Jozuehun: “I pe me sytë e tu të gjitha ato që u bëri Zoti, Perëndia juaj, këtyre dy mbretërve. Kështu do të veprojë Zoti me të gjitha mbretëritë nëpër të cilat do të kalosh. Mos i kini frikë, sepse Zoti, Perëndia juaj, ai vetë lufton për ju”. Asokohe iu përgjërova Zotit: “O Zot, Zoti im, ti fillove t'ia dëftosh shërbëtorit tënd lavdinë dhe krahun tënd të fuqishëm. A ka perëndi tjetër në qiell apo në tokë që mund të bëjë veprat e bëmat e tua? Më lër të kaloj e të shoh tokën e mirë përtej Jordanit, këto bjeshkë të bukura dhe Libanin”. Por Zoti ishte i zemëruar me mua, për shkakun tuaj. Nuk më dëgjoi e më tha: “Mjaft! Mos m'u lut më për këtë gjë! Ngjitu në majë të Pisgahut e vështro drejt perëndimit, veriut, jugut e lindjes. Shikoje vendin, se Jordanin nuk ke për ta kaluar. Prandaj, udhëzoje Jozuehun, jepi zemër e guxim, sepse ai do t'i prijë këtij populli përtej Jordanit dhe ai do t'ua ndajë tokën që sheh”. Ndërkohë ndenjëm në luginën përballë Betpeorit». «E tani, o Izrael, dëgjoji rregullat e vendimet që po ju mësoj, që, duke i mbajtur, të jetoni. Kështu do të hyni e do të pushtoni tokën që po u jep Zoti, Perëndia i etërve tuaj. Mos u shtoni e mos u hiqni asgjë urdhrave që po ju jap. Mbajini urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, që po ju jap. Sytë tuaj panë atë që Zoti bëri në Baalpeor, sesi Zoti, Perëndia yt, zhbiu prej mesit tënd të gjithë ata që ndoqën Baalin e Peorit, ndërsa të gjithë ju që u mbajtët fort pas Zotit, Perëndisë suaj, jeni sot gjallë. Ja, jua mësova rregullat e vendimet, siç më urdhëroi Zoti, Perëndia im, që t'i zbatoni në tokën që po hyni për ta pushtuar. Mbajini e zbatojini, se kjo do t'ju bëjë të urtë e të dijshëm para syve të popujve. Ata, kur të dëgjojnë për tërë këto rregulla, do të thonë: “Sa i urtë e i dijshëm qenka ky komb i madh!”. Cili komb i madh i ka perënditë aq pranë sa kemi ne Zotin, Perëndinë tonë, kur e thërrasim? Cili komb i madh ka rregulla e vendime kaq të drejta sa tërë ky ligj që po ju jap sot? Veç trego shumë kujdes e ruhu se i harron gjërat që të panë sytë. Zemra jote të mos shmanget prej tyre gjatë gjithë jetës sate. Mësojua fëmijëve e nipave të tu, si qëndrove atë ditë në Horeb para Zotit, Perëndisë tënd, e sesi ai më tha: “Ma mblidh popullin, që të ma dëgjojnë fjalën e të mësojnë të më druajnë gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre mbi tokë. Këtë t'ua mësojnë edhe fëmijëve”. E ju u afruat e qëndruat rrëzë malit, ndërkohë mali digjej flakë deri në kupë të qiellit, kudo kishte errësirë, re e terr. Atëherë Zoti, Perëndia juaj, ju foli nga mesi i zjarrit. Ia dëgjuat zërin, por trajtën nuk ia patë. Veç zërin dëgjuat, asgjë tjetër. Ai ju shpalli besëlidhjen e vet, dhjetë urdhërimet, që ju urdhëroi t'i zbatoni. Ato i shkroi në dy rrasa guri dhe mua më urdhëroi, në të njëjtën kohë, t'ju mësoj rregullat dhe vendimet, që t'i zbatoni në tokën në të cilën po kaloni për ta pushtuar. Atë ditë, kur Zoti ju foli nga mesi i zjarrit në Horeb, nuk patë kurrfarë trajte, prandaj ruhuni se mos shthureni e bëni për veten tuaj ndonjë idhull, ndonjë trajtë me shëmbëllimin e mashkullit apo femrës, kafshëve të tokës, shpendëve fluturakë të qiellit, zvarranikëve të dheut apo peshqve të ujërave nën dhe. Se mos ngre sytë nga qielli dhe shikon diellin, hënën, yjet e mbarë ushtrinë qiellore dhe marrosesh pas tyre, i adhuron e u shërben. Këto, Zoti, Perëndia yt, ua caktoi tërë popujve që janë nën qiell. Ndërsa juve, Zoti ju nxori nga Egjipti, nga ajo shkritore e hekurit, që t'i përkisni atij e të jeni populli i tij, siç jeni edhe sot. Por Zoti u zemërua me mua për shkakun tuaj. Ai u betua se nuk do ta kaloja Jordanin dhe se nuk do të hyja në tokën e mirë, të cilën po ta jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt. Unë do të vdes në këtë vend, pa kaluar përtej Jordanit, ndërsa ju do të kaloni e do ta pushtoni atë tokë të mirë. Ruhuni se mos harroni besëlidhjen që lidhi me ju, Zoti, Perëndia juaj, dhe bëni për veten tuaj idhuj të çfarëdolloj trajte, të cilët ua ndaloi Zoti, Perëndia juaj, sepse Zoti, Perëndia juaj, është zjarr përvëlues. Ai është Perëndi xheloz. Edhe kur të jeni bërë me fëmijë e nipa e të jeni plakur mirë në këtë tokë, nëse shthureni e bëni idhuj të çfarëdolloj trajte, nëse bëni ligësi para Zotit, Perëndisë tuaj, dhe e ngucni, qielli e toka qofshin sot dëshmitarë se do të zhbiheni një herë e mirë prej tokës që do të pushtoni përtej Jordanit. Nuk keni për të jetuar gjatë atje, se keni për t'u shfarosur krejt. Zoti do t'ju shpërndajë nëpër popuj dhe vetëm pak prej jush do të mbeten nëpër kombet ku Zoti do t'ju dëbojë. Atje do t'u shërbeni perëndive të bëra nga dora e njeriut, perëndi druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk hanë e nuk nuhasin. Por nëse atje do ta kërkoni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, do ta gjeni. Kur të gjendesh në vështirësi e të pësosh të gjitha këto në ditët që vijnë, do të kthehesh te Zoti, Perëndia yt, e do t'ia dëgjosh zërin, se Zoti, Perëndia yt, është një Perëndi i mëshirshëm. Ai nuk do të të braktisë, nuk do të të shkatërrojë e as nuk do ta harrojë besëlidhjen për të cilën iu betua etërve të tu. Shqyrtoji kohët e lashta, përpara se të vije në jetë, që nga dita kur Perëndia krijoi njeriun mbi tokë. Shqyrtoji qiejt nga skaji në skaj e pyet: a ka ndodhur ndonjëherë një gjë kaq e madhe? A është dëgjuar ndonjëherë një gjë e tillë? A e ka dëgjuar ndonjë popull zërin e Perëndisë që fliste nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, e mbeti gjallë? Cili Perëndi provoi të shkojë të marrë për vete një komb nga mesi i një kombi tjetër përmes sprovave, shenjave, mrekullive, betejave, dorës së fuqishme, krahut të fortë e gjëmave të mëdha ashtu siç bëri për ju Zoti, Perëndia juaj, para syve tuaj kur ishit në Egjipt? Këto të janë dëftuar që ta dish se Zoti është Perëndi. Nuk ka tjetër përveç tij. Nga qielli të bëri ta dëgjosh zërin e tij, për të të ndrequr. Përmbi tokë të shfaqi zjarrin e tij të madh dhe nga mesi i këtij zjarrit dëgjove fjalët e tij. Ai zgjodhi pasardhësit e etërve të tu nga dashuria për ta. Ai vetë të nxori prej Egjiptit përmes fuqisë së tij të madhe. Dëboi para teje kombe më të mëdhenj e më të fuqishëm se ti, që të të sjellë e të të japë për trashëgimi tokën e tyre, siç po ndodh sot. Dije, pra, sot e skalite në zemër se Zoti është Perëndi lart në qiell e poshtë në tokë. Tjetër nuk ka. Mbaji rregullat e urdhërimet që unë po të urdhëroj sot, që të të shkojë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje e të jetosh gjatë në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep përgjithmonë». Pastaj Moisiu veçoi tre qytete lindore përtej Jordanit, që të shërbejnë si strehim për këdo që vret padashur të afërtin me të cilin nuk kishte pasur armiqësi më parë. Ai do të ikë te njëri prej këtyre e do të shpëtojë. Qytetet janë Beceri në rrafshnaltën në shkretëtirë, për fisin e Rubenit; Ramoti, në Gilead, për fisin e Gadit; dhe Golani, në Bashan, për fisin e Manaseut. Ky është ligji që Moisiu u parashtroi izraelitëve. Këto janë dëshmitë, rregullat e vendimet që u dha izraelitëve kur dolën nga Egjipti, përtej Jordanit, në luginën e Betpeorit, në tokën e Sihonit, mbretit të amoritëve, që banonte në Heshbon, të cilit Moisiu dhe izraelitët i ranë kur dolën nga Egjipti. Ata e pushtuan tokën e Sihonit e të Ogut, mbretit të Bashanit; dy mbretër amoritë që banonin në lindje, përtej Jordanit. Vendi i tyre shtrihej prej Aroerit, që është buzë luginës së Arnonit, deri te mali Sirion që është Hermoni, dhe përfshinte mbarë Arabahun, në lindje përtej Jordanit, deri te deti i Arabahut, nën rrëpirën e Pisgahut. Moisiu e thirri gjithë Izraelin e u tha: «Dëgjo, o Izrael, rregullat e vendimet që unë po ju shpall sot. Mësojini e zbatojini ato me kujdes. Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb. Këtë besëlidhje Zoti nuk e lidhi me etërit tanë, por me ne, me ne që jemi këtu, me të gjithë ne që jemi gjallë. Në mal, Zoti ju foli ballë për ballë nga mesi i zjarrit. Asokohe unë qëndroja mes jush dhe Zotit për t'ju shpallur fjalën e tij, sepse ju kishit frikë nga zjarri e nuk u ngjitët në mal. Ai tha: “Unë Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje. Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezin e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e zbatojnë ligjin tim. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij. Mbaje ditën e shtunë e shenjtëroje, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt. Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as demi yt, as gomari yt, asnjë nga kafshët e tua dhe as i huaji që rri me ty, që edhe shërbëtori e shërbëtorja jote të pushojnë si ti. Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me dorë të fuqishme e me krah të fortë, prandaj dhe të urdhëroi ta mbash ditën e shtunë. Ndero atin tënd e nënën tënde, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt, që të kesh jetë të gjatë e të të shkojë mbarë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. Mos vrit. Mos bëj tradhti bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të kotë kundër të afërtit tënd. Mos lakmo gruan e tjetrit. Mos lakmo shtëpinë e tij, as arën e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë të tij”. Këto fjalë, Zoti ia tha me zë të lartë tërë bashkësisë suaj në mal, nga mesi i zjarrit, resë e territ. Gjë tjetër nuk shtoi. I shkroi në dy rrasa guri e m'i dha mua. Kur ju e dëgjuat zërin nga mesi i territ dhe patë malin që digjej, m'u afruat ju, tërë krerët e fiseve dhe pleqtë, e më thatë: “Ja, Zoti, Perëndia ynë, na dëftoi lavdinë e madhështinë e tij dhe ne ia dëgjuam zërin nga mesi i zjarrit. Sot pamë sesi Perëndia folka me njeriun e ky mbetka gjallë! Por, pse të vdesim nga ky zjarr i madh që do të na përpijë? Nëse e dëgjojmë sërish zërin e Zotit, Perëndisë tonë, do të vdesim, se kush tjetër e dëgjoi Perëndinë e gjallë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjuam ne, e mbeti gjallë? Shko ti e dëgjo gjithçka që thotë Zoti, Perëndia ynë. Pastaj na trego gjithçka që tha Zoti, Perëndia ynë, e ne do të të dëgjojmë”. Zoti i dëgjoi fjalët që më thatë e më tha: “I dëgjova fjalët që të tha ky popull. E kanë mirë gjithçka thanë. Ah, sikur të kishin përherë një mendje të tillë, që të më druanin e të mbanin urdhërimet e mia. Kështu do t'u shkonte mbarë atyre e bijve të tyre përgjithmonë. Shko e thuaju: kthehuni në tendat tuaja, ndërsa ti qëndro këtu me mua. Do të t'i them të gjitha urdhërimet, rregullat e vendimet, që t'ua mësosh t'i zbatojnë në tokën që po u jap për pronë”. Prandaj kini kujdes e veproni siç ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj. Mos u shmangni as djathtas, as majtas. Ecni udhës që ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, që të jetoni, t'ju shkojë mbarë e të jeni me jetë të gjatë në tokën që do të pushtoni». «Këto janë urdhërimet, rregullat e vendimet që më urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, për t'jua mësuar, që t'i zbatoni në tokën ku po kaloni për ta pushtuar, me qëllim që ta druash Zotin, Perëndinë tënd, e t'i mbash gjatë gjithë jetës tërë rregullat e urdhërimet e tij, të cilat po t'i urdhëroj ty, bijve e nipave të tu. Kështu do të kesh jetë të gjatë. Dëgjo Izrael, zbatoji ato me kujdes, që të të shkojë mbarë e të shumohesh në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç të tha Zoti, Perëndia i etërve të tu. Dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë forcën tënde. Mbaji në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Përsëritja fëmijëve e fol për to kur të rrish ulur në shtëpi ose kur të ecësh udhës, kur të biesh në shtrojë ose kur të ngrihesh prej saj. Lidhi si shenjë në dorë e si shirit në ballë. Shkruaji mbi shtalkat e shtëpive e mbi portat tuaja. Kur Zoti, Perëndia yt, të të sjellë në tokën, për të cilën iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut, Jakobit, se do të ta japë ty; kur të të sjellë në qytete të mira e të mëdha, që nuk i ke ndërtuar vetë, në shtëpi plot me të mira, për të cilat nuk ke punuar vetë, në puse, që nuk i ke hapur vetë, në vreshta e ullishta që nuk i ke mbjellë vetë dhe kur të kesh për të ngrënë sa të ngopesh, kujdes se mos harron Zotin që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. Zotin, Perëndinë tënd, do të druash, atij do t'i shërbesh e në emër të tij do të betohesh. Mos shkoni pas perëndive të tjerë, pas perëndive të popujve që janë përreth jush, sepse Zoti, Perëndia yt, që është në mesin tënd, është Perëndi xheloz. Ai do të zemërohet me ty e do të të shfarosë prej faqes së dheut. Mos e tundoni Zotin, Perëndinë tuaj, siç vepruat në Masë. Mbajini me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe dëshmitë e rregullat që ju dha. Bëj çka është e mirë dhe e drejtë para Zotit, që të të shkojë mbarë e që të pushtosh tokën e mirë për të cilën Zoti iu betua etërve të tu, duke i zbuar armiqtë e tu, siç tha Zoti. Kur, në të ardhmen, të të pyesë yt bir: “Çfarë kuptimi kanë dëshmitë, rregullat e vendimet që ju urdhëroi Zoti, Perëndia ynë?”, atëherë do t'i thuash: “Ne ishim skllevër të faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme. Ai bëri para syve tanë shenja e mrekulli të mëdha e të tmerrshme kundër Egjiptit, kundër faraonit e kundër gjithë shtëpisë së tij. Na nxori prej andej, që të na sillte e të na jepte tokën për të cilën iu betua etërve tanë. Zoti na urdhëroi t'i zbatojmë të gjitha këto rregulla e ta druajmë Zotin, Perëndinë tonë, që të na shkojë mbarë jeta e të na mbajë gjallë, sikurse jemi sot. Nëse e zbatojmë me kujdes tërë këtë ligj para Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na urdhëroi, atëherë do të jemi të drejtë”». «Kur Zoti, Perëndia yt, të të sjellë në tokën që po hyn për ta pushtuar, do të dëbojë shumë kombe para teje; shtatë kombe më të mëdhenj e më të fortë se ti: hititët, girgashitët, amoritët, kananitët, perizitët, hivitët e jebusitët. Zoti, Perëndia yt, do të t'i dorëzojë e ti do t'u biesh e do t'i shkatërrosh plotësisht. Mos lidh besëlidhje me ta e mos u trego i mëshirshëm. Mos bëj krushqi me ta. Mos u jep vajzë, as mos u merr vajzë për djalin tënd, se ato do t'i largojnë djemtë tuaj prej meje dhe këta do t'u shërbejnë perëndive të tjerë. Atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush e do t'ju shkatërrojë menjëherë. Por ti, vepro kështu me ta: rrënoji altarët e tyre, shkatërroji përmendoret e tyre të shenjta, copëtoji shtyllat e Asherave të tyre e digji në zjarr shëmbëlltyrat e tyre. Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Ndër gjithë popujt e faqes së dheut, Zoti, Perëndia yt, të zgjodhi ty, që të jesh populli i tij i çmuar. Zoti nuk ju ka për zemër e nuk ju zgjodhi, se jeni populli më i madh. Në të vërtetë ju jeni më të vegjlit. Zoti ju do dhe e mbajti betimin për të cilin iu betua etërve tuaj, prandaj ju nxori me dorë të fuqishme, ju çliroi nga skllavëria, nga dora e faraonit, mbretit të Egjiptit. Dije se Zoti, Perëndia yt, është Perëndi, Perëndi besnik që e mban besëlidhjen e tregon mirësi deri në një mijë brezni për atë që e do dhe që i mban urdhërimet e tij. Por ata që e urrejnë i shpërblen me rrënim. Ai nuk vonon me ata që e urrejnë e nuk rri pa i shpërblyer! Mbaji këto urdhërime, rregulla e vendime që sot po të urdhëroj t'i zbatosh. Nëse do t'i dëgjosh e zbatosh me kujdes këto vendime, Zoti, Perëndia yt, do ta mbajë besëlidhjen e do të tregohet dashamirës me ty, siç iu betua etërve të tu. Ai do të të dojë, do të të bekojë e do të të shumojë. Ai do të ta bekojë frytin e barkut, frytin e tokës, drithin, verën, vajin, pjellën e qeve e të dhenve, në dheun për të cilin iu betua etërve të tu, për të ta dhënë ty. Do të jesh populli më i bekuar. S'do të ketë meshkuj e femra shterpë ndër ju e as ndër bagëtitë tuaja. Zoti do të heqë prej teje çdo sëmundje. Nuk do të të godasë me lëngatat e tmerrshme të Egjiptit që ti i njeh mirë. Ato do t'ua lëshojë armiqve të tu. Përpiji të gjithë popujt që Zoti, Perëndia yt, po të jep e mos të të dhimbsen. Mos iu shërbe perëndive të tyre, se do të biesh në kurth. Nëse thua me vete se këto kombe janë më të mëdha se unë e s'mund t'i pushtoj, mos u frikëso, por kujto atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri faraonit e tërë Egjiptit, sprovat e mëdha që ju panë sytë, shenjat e mrekullitë, dorën e fuqishme e krahun e fortë, përmes të cilave të nxori Zoti, Perëndia yt. Kështu do të veprojë Zoti, Perëndia yt, me tërë popujt që i ke frikë. Për më tepër, Zoti, Perëndia yt, do të lëshojë një plagë mes tyre, që t'i shkatërrojë edhe ata që mbetën apo që u fshehën prej teje. Mos u tmerro para tyre, se Zoti, Perëndia yt, është mes teje. Ai është një Perëndi i madh e i tmerrshëm. Zoti, Perëndia yt, do të t'i fshijë këto kombe pak nga pak. Nuk do të mund t'i shkatërrosh menjëherë, sepse egërsirat do të shtohen kundër teje. Zoti, Perëndia yt, do të t'i dorëzojë e do t'i shastisë e çorodisë derisa të zhbihen. Ai do t'i dorëzojë mbretërit e tyre dhe ti do t'ua shuash emrat nën qiell. Askush nuk do të të bëjë ballë derisa t'i shkatërrosh. Digji në zjarr shëmbëlltyrat e perëndive të tyre. Mos e lakmo e mos e merr argjendin e arin që është mbi to, përndryshe do të biesh në kurth, ngaqë ato janë të neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd. Mos sill në shtëpi asgjë të neveritshme që të mos përfshihesh edhe ti në shkatërrimin e saj. Përbuze dhe urreje fort, se është ndarë veç për shkatërrim». «Ki kujdes që ta zbatosh të gjithë ligjin që të kam urdhëruar sot, që të jetoni, të shumoheni, të hyni e të pushtoni tokën për të cilën Zoti iu betua etërve tuaj. Kujto tërë udhën që Zoti, Perëndia yt, të bëri të marrësh gjatë këtyre dyzet vjetëve në shkretëtirë, për të të sprovuar me mundime, që të dinte çka kishe në zemër e nëse do t'i mbaje apo jo urdhërimet e tij. Ai të mundoi me uri e pastaj të ushqeu me manë, të cilën s'e njihje as ti, as etërit e tu, për të të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit. Gjatë këtyre dyzet vjetëve, as t'u shqyen rrobat, as t'u ënjt këmba. Ngulite në mendje se Zoti, Perëndia yt, të ndreq, ashtu siç ndreq njeriu fëmijën e vet. Mbaji urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, ec udhës së tij e druaje atë. Zoti, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një tokë ku përrenjtë, krojet e burimet e nëndheshme vërshojnë nëpër fusha e bjeshkë, në një tokë me grurë, elb, vreshta, fiq e shegë, në një tokë me vaj ulliri e me mjaltë, në një tokë ku do të hash bukë sa të duash, ku asgjë nuk do të të mungojë, në një tokë ku nxirret hekur prej gurit e bronz prej maleve. Do të hash, do të ngihesh e do të bekosh Zotin, Perëndinë tënd, për tokën e mirë, që të ka dhënë. Kujdes se mos harron Zotin, Perëndinë tënd, e nuk i mban urdhërimet, vendimet e rregullat e tij, që ju urdhërova unë sot. Kur të hash sa të ngihesh, kur të ndërtosh e të rrosh në shtëpi të mira, kur të të shtohen dhentë e qetë, argjendi e ari e gjithçka që ke, mos të të rritet mendja dhe harron Zotin, Perëndinë tënd. Ai të nxori nga toka e Egjiptit, nga skllavëria, të priu në shkretëtirën e madhe e të tmerrshme, një vend gjarpërinjsh helmues e akrepash, një vend i shkretë pa ujë, të nxori ujë nga një shkëmb stralli, të ushqeu në shkretëtirë me manë, të cilën as etërit e tu nuk e njihnin, që të të sprovonte me mundime e në fund të ta sillte mbarë. Mos thuaj me vete: “Me forcën dhe fuqinë e duarve të mia e fitova gjithë këtë pasuri”. Kujto Zotin, Perëndinë tënd, se ai të jep forcë për të fituar pasuri dhe e mban besëlidhjen e tij, për të cilën iu betua etërve të tu, si edhe sot. Por, nëse e harron vërtet Zotin, Perëndinë tënd, e ndjek perëndi të tjerë, u shërben e i adhuron, për be, sot po ju paralajmëroj se do të shkatërroheni krejt. Do të merrni fund si kombet që po shkatërron Zoti para jush, ngaqë nuk e dëgjuat zërin e Zotit, Perëndisë tuaj». «Dëgjo Izrael, sot po kalon Jordanin për të hyrë e për të shpronësuar popuj më të mëdhenj e më të fortë se vetja, qytete të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, një popull të madh e shtatlartë, anakimët, që i njeh dhe për të cilët ke dëgjuar të thuhet: “Kush do t'u bëjë ballë bijve të Anakut?”. Dije, pra, sot, se Zoti, Perëndia yt, ai vetë, po kalon para teje si një zjarr përvëlues, ai vetë do t'i shkatërrojë e do t'i nënshtrojë ata para teje. Pastaj, ti do t'i zbosh e zhbish menjëherë, siç të tha Zoti. Kur Zoti, Perëndia yt, t'i zbojë para teje, mos thuaj me vete: “ Zoti më solli për ta pushtuar këtë tokë në saje të drejtësisë sime”, sepse ai po i zbon këto kombe për shkak të ligësisë së tyre. Nuk po hyn për ta pushtuar tokën e tyre në saje të drejtësisë sate apo në saje të ndershmërisë së zemrës tënde. Zoti, Perëndia yt, po i shpronëson para teje këto kombe për shkak të ligësisë së tyre dhe që të mbajë fjalën që u dha etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit. Dije, pra, se Zoti, Perëndia yt, nuk po ta jep këtë tokë të mirë për ta pushtuar në saje të drejtësisë sate, sepse ti je një popull kokëfortë. Mos harro kurrë si e ndeze zemërimin e Zotit, Perëndisë tënd, kur ishe në shkretëtirë. Që nga dita kur dole nga toka e Egjiptit e derisa arrite në këtë vend, ngrite krye kundër Zotit. Madje, edhe në Horeb e ndezët zemërimin e Zotit. Ai u zemërua me ju e deshi t'ju zhbinte. Kur u ngjita në mal për të marrë rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes që Zoti lidhi me ju, qëndrova atje për dyzet ditë e dyzet net pa ngrënë bukë e pa pirë ujë. Pastaj Zoti m'i dha dy rrasat e gurit të shkruara nga vetë dora e Perëndisë. Ato përmbanin të gjitha fjalët që Zoti ju tha nga mesi i zjarrit në mal, në ditën e tubimit. Pasi kaluan dyzet ditë e dyzet net, Zoti m'i dha dy rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes. Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e zbrit shpejt poshtë, se populli yt, që nxore nga Egjipti, u shthur. E lanë shpejt udhën që u urdhërova e punuan për vete idhuj të metaltë”. Zoti vijoi të më thoshte: “Po shoh se qenka popull kokëfortë! Më lër t'i zhbij e ta shuaj emrin e tyre nën qiell. E prej teje do të bëj një komb të fortë e të madh”. Atëherë u ktheva e zbrita nga mali, ndërkohë që mali digjej zjarr e dy rrasat e besëlidhjes i mbaja në duar. Dhe ja, pashë që kishit mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj dhe kishit punuar për vete një viç të metaltë. E latë shpejt udhën që ju kishte urdhëruar Zoti. Atëherë i mbërtheva të dyja rrasat, i përplasa me të dyja duart dhe i theva para syve tuaj. Pastaj rashë përmbys para Zotit e, si më parë, nuk hëngra bukë e nuk piva ujë për dyzet ditë e dyzet net, për shkak të mëkatit që kishit bërë, sepse e ngucët Zotin duke bërë ligësi në sy të tij. Pata frikë nga zemërimi e tërbimi i Zotit, që ishte ndezur kundër jush për t'ju zhbirë, por Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. Zoti u zemërua aq fort edhe me Aronin, sa donte ta zhbinte. Atëherë u luta edhe për të. Sa për mëkatin që bëtë, viçin e punuar e mora, e dogja në zjarr, e bëra copë e thërrime derisa u bë pluhur dhe pluhurin e hodha në përroin që rridhte nga mali. Edhe në Taberah, në Masë e në Kibrot Hatavah e ndezët zemërimin e Zotit. Kur Zoti ju dërgoi nga Kadesh Barnea e ju tha: “Shkoni e pushtojeni tokën që ju kam dhënë”, ju ngritët krye kundër fjalës së Zotit, Perëndisë tuaj. Nuk i besuat atij, as nuk e dëgjuat zërin e tij. Që nga dita që ju kam njohur keni ngritur krye kundër Zotit. Kështu, rashë përmbys para Zotit e për dyzet ditë e dyzet net iu përgjërova, sepse kishte thënë se do t'ju zhbinte. Iu luta Zotit e i thashë: “O Zot, Zoti im, mos e shfaros popullin tënd, trashëgimin tënd, që e çlirove me madhështinë tënde, kur e nxore nga Egjipti me dorë të fuqishme. Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun e Jakobin dhe mos i vë vesh kokëfortësisë, ligësisë e mëkatit të këtij populli. Përndryshe, banorët e tokës, prej nga na nxore, do të thonë: ‘ Zoti nuk mundi t'i çonte në tokën që u pati premtuar. I urrente, prandaj i nxori që t'i vriste në shkretëtirë’. Por, ky është populli yt dhe trashëgimia jote që e nxore me fuqinë tënde të madhe e me krahun tënd të fortë”». «Asokohe, Zoti më tha: “Lato dy rrasa guri si të parat, puno për vete një arkë prej druri e ngjitu tek unë në mal, që të shkruaj në to urdhërimet që ishin në rrasat e para që theve. Ato vendosi në arkë”. Kështu, punova një arkë me dru akacieje, latova dy rrasa guri si të parat e, me to në duar, u ngjita në mal. Atëherë Zoti shkroi në rrasa, si më parë, dhjetë urdhërimet që i tha nga mesi i zjarrit, në mal, në ditën e tubimit e m'i dha mua. Pastaj u ktheva, zbrita nga mali e i vendosa rrasat në arkën që kisha bërë. Ato janë aty ku urdhëroi Zoti. Izraelitët u nisën nga burimet e Bene Jakanit drejt Moserahut. Atje vdiq e u varros Aroni. Në vend të tij u bë prift Eleazari. Prej andej u nisën drejt Gudgodës e prej Gudgodës shkuan në Jotbatah, një toke me përrenj. Asokohe, Zoti e ndau veças fisin e Levit, siç është edhe sot, që të mbajë arkën e besëlidhjes së Zotit, që të qëndrojë para Zotit për t'i shërbyer e për të bekuar në emër të tij. Prandaj, Levi nuk ka pjesë në trashëgiminë e vëllezërve të tij. Zoti është trashëgimia e tij, siç i tha Zoti, Perëndia yt. Unë qëndrova në mal si më parë, dyzet ditë e dyzet net dhe Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. Ai nuk deshi t'ju shfaroste. Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e priji popullit, që të shkojnë e të pushtojnë tokën për të cilën iu betova etërve tuaj për t'ua dhënë”. Tani, Izrael, Zoti, Perëndia yt, nuk kërkon gjë tjetër prej teje, veç ta druash, të ecësh udhës së tij, ta duash, t'i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt dhe t'i mbash, për të mirën tënde, urdhërimet e Zotit e rregullat që po të urdhëroj unë sot. Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qielli, skaj më skaj, toka e gjithçka në të. Megjithatë, Zoti pati për zemër dhe deshi vetëm etërit tuaj. Nga mesi i gjithë popujve ai zgjodhi pasardhësit e tyre, siç është edhe sot. Rrethprituni në zemër e mos u tregoni kokëfortë më, se Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zoti i zotërve, Perëndia i madh, i fuqishëm e i tmerrshëm. Ai nuk mban anë e nuk merr mitë. I jep të drejtën jetimit e të vesë. E do të ardhurin e i jep bukë e rroba. Duajeni të ardhurin, sepse edhe ju ishit të ardhur në tokën e Egjiptit. Druaje Zotin, Perëndinë tënd, e shërbeji. Mbahu fort pas tij e në emrin e tij betohu. Ai është lavdia e Perëndia yt. Ai i bëri për ty këto vepra të mëdha e të mrekullueshme që i ke parë me sytë e tu. Etërit e tu ishin vetëm shtatëdhjetë frymë kur shkuan në Egjipt, ndërsa tani, Zoti, Perëndia yt, të ka shumuar sa yjet e qiellit». «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, mbaji gjithmonë urdhrat, rregullat, vendimet dhe urdhërimet e tij. Dijeni pra, se jo fëmijët tuaj, por ju i njohët e i patë sprovat e Zotit, Perëndisë tuaj, madhështinë e tij, dorën e tij të fortë, krahun e tij të fuqishëm, shenjat dhe veprat e tij, që bëri në mes të Egjiptit, që ia bëri faraonit, mbretit të Egjiptit, gjithë tokës së tij, ushtrisë egjiptiane me kuaj e kalorës. Ju patë si i mbuloi me ujërat e detit të Kuq, kur po ju ndiqnin, e si Zoti i shkatërroi një herë e mirë. Ju patë atë që ju bëri në shkretëtirë derisa mbërritët në këtë vend, se çfarë i bëri Datanit, Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit, sesi toka e hapi gojën e i përpiu me shtëpi e katandi, në mes të tërë Izraelit. Me sytë tuaj i patë të gjitha veprat e mëdha që bëri Zoti. Mbaji, pra, të gjitha urdhërimet që po ju jap sot, që të jeni të fortë për të zotëruar tokën në të cilën po hyni për ta pushtuar, e që të jetoni gjatë në vendin, për të cilin Zoti iu betua etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre për t'ua dhënë, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë. Toka në të cilën po hyni për ta pushtuar nuk është si toka e Egjiptit, prej nga dolët. Atje, farën e mbjellë duhej ta ujitje vetë, sikurse ujit perimet e kopshtit. Ndërsa toka në të cilën po hyni për ta pushtuar është një vend me male e lugina që ujiten nga shiu i qiellit. Zoti, Perëndia yt, kujdeset për të. Sytë e Zotit, Perëndisë tënd, janë mbi të që nga fillimi e deri në fund të vitit. Nëse i mbani me të vërtetë urdhërimet, që po ju jap sot, për ta dashur Zotin, Perëndinë tuaj, e për t'i shërbyer me gjithë zemër e shpirt, ai do t'i japë tokës suaj shiun e duhur, shiun e vjeshtës e shiun e pranverës e ju do të mblidhni drithin, mushtin e vajin tuaj. Do t'i bëjë fushat të gjelbërojnë për kafshët tuaja e ju do të hani e ngiheni. Se mos ju gënjen mendja e largoheni dhe u shërbeni e adhuroni perëndi të tjerë! Përndryshe, zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush. Do të ta ndryjë qiellin që të mos ketë shi. Toka nuk do të japë fryt e ju do të zhbiheni menjëherë prej tokës së mirë që po ju jep Zoti. Rrënjosini këto fjalë në zemër e në shpirt. Lidhini si shenjë në dorë e si shirita në ballë. Mësojuani fëmijëve e fol për to kur të rrish ulur në shtëpi ose kur të ecësh udhës, kur të biesh në shtrojë ose kur të ngrihesh prej saj. Shkruaji mbi shtalkat e shtëpive e mbi portat tuaja, që ju e fëmijët tuaj të jetoni në tokën për të cilën Zoti iu betua t'u jepte etërve tuaj, për aq sa qielli është përmbi tokë. Nëse i mbani me të vërtetë të gjitha këto urdhërime, që po ju urdhëroj t'i zbatoni, nëse e doni Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij e duke u mbajtur fort pas tij, atëherë Zoti do t'i zbojë para jush tërë këto kombe e ju do të pushtoni kombe më të mëdha e më të fortë se vetja. Çdo vend që do të shkelë shputa e këmbës suaj do t'ju përkasë juve. Kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban e nga lumi Eufrat deri në detin perëndimor. Askush nuk do t'ju bëjë dot ballë. Zoti, Perëndia juaj, do të bëjë të kenë frikë e tmerr prej jush të gjitha vendet që do të shkelni, siç edhe ju tha. Ja, sot po ju vë përpara bekimin e mallkimin: bekimin, nëse i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, që po ju urdhëroj sot; mallkimin, nëse nuk i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, e largoheni nga udha që po ju urdhëroj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i njihni. Kur Zoti, Perëndia yt, të të çojë në tokën që po hyn për ta pushtuar, shpalle bekimin mbi malin Gerizim, ndërsa mallkimin mbi malin Ebal. Këta janë përtej Jordanit, në perëndim të udhës, në tokën e kananitëve që banojnë në Arabah, kundruall Gilgalit, buzë lisave të Morehut. Kur të kaloni përtej Jordanit e të hyni për të pushtuar tokën që po ju jep Zoti, Perëndia juaj, kur ta zotëroni e të jetoni në të, kini kujdes e mbajini të gjitha rregullat e vendimet që po ju parashtroj sot». «Këto janë rregullat e vendimet që do të mbash me kujdes gjatë gjithë jetës tënde në tokën që të dha Zoti, Perëndia i etërve të tu, për ta pushtuar. Shkatërrojini fare tërë vendet, ku, popujt që do të pushtoni, u shërbejnë perëndive të tyre, kudo qofshin, lart në male, në kodra apo nën çdo pemë të gjelbër. Rrënojini altarët e tyre. Copëtojini përmendoret e tyre të shenjta. Digjini në zjarr shtyllat e Asherave të tyre. Thyejini shëmbëlltyrat e perëndive të tyre. Shuajini emrat e tyre nga kjo tokë. Mos bëni kështu me Zotin, Perëndinë tuaj, por kërkojeni banesën e tij, në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia juaj, nga mesi i gjithë fiseve tuaja, për të vendosur emrin e tij. Atje shkoni e sillni flitë e shkrumbimit, flijimet, të dhjetat, dhuratat tuaja, flitë e kushtit, flitë vullnetare dhe të parëlindurit e dhenve e të qeve. Atje do të hani në prani të Zotit, Perëndisë tuaj, e atje, ju dhe familjet tuaja, do të festoni të gjitha punët e duarve tuaja me të cilat ju ka bekuar Zoti, Perëndia juaj. Mos bëni siç bëjmë ne sot këtu, ku secili vepron si t'i duket e drejtë, sepse, deri më sot, nuk kishit mbërritur ende në vendin e prehjes e të trashëgimisë që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep. Por, kur të kaloni përtej Jordanit e të banoni në tokën që Zoti, Perëndia juaj, do t'ju japë për pronë, e kur t'ju japë paqe nga armiqtë përreth e të jetoni të sigurt, do të jetë një vend të cilin Zoti, Perëndia juaj, do ta zgjedhë për të vënë emrin i tij. Atje sillini të gjitha ato që ju kam urdhëruar, flitë e shkrumbimit, flijimet, të dhjetat, dhuratat tuaja e tërë flitë e përzgjedhura të kushtit që ia keni premtuar Zotit. Atje do të festoni në prani të Zotit, Perëndisë tuaj, ju, bijtë e bijat tuaja, shërbëtorët e shërbëtoret tuaja dhe leviti që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka pjesë e as trashëgimi mes jush. Ruhu se mos i kushton flitë e shkrumbimit në çdo vend që sheh. Vetëm te vendi që do të zgjedhë Zoti, në njërin prej fiseve, do të kushtosh flitë e shkrumbimit. Atje do të bësh çdo gjë që të urdhërova. Ther e ha mish me bekimin e Zotit, Perëndisë tënd, në çdo qytet, sa herë ta ka ënda. Atë mund ta hajë si i pastri, ashtu dhe i papastri, siç hahet mishi i gjahut. Vetëm gjakun mos e hani. Atë derdheni në tokë si ujë. Por të dhjetën e drithit, të mushtit e të vajit, të parëlindurin e dhenve e të qeve, çdo fli kushti që premtove, flitë vullnetare e dhuratat që paraqet, mos i ha në çdo qytet. Ti, bijtë e bijat e tua, shërbëtorët e shërbëtoret e tua dhe leviti që banon në qytetin tënd do t'i hani ato para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. Festoni para Zotit, Perëndisë tënd, çdo vepër të duarve tuaja. Gjatë gjithë ditëve të tua në tokën tënde ki kujdes se mos e lë pas dore levitin. Kur Zoti, Perëndia yt, t'i ketë zgjeruar kufijtë e tu, sikurse të premtoi, kur të hahet mish e kur thua: “Ma ka ënda të ha mish”, atëherë ha sa herë ta ka ënda. Nëse vendi që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, për të vënë emrin e tij ndodhet larg, there dashin apo kaun që të ka dhënë Zoti, siç të urdhërova e haje në çdo qytet sa herë ta ka ënda. Haje siç hahet mishi i gjahut. Atë mund ta hajë si i pastri, ashtu edhe i papastri. Por, të ndalohet rreptësisht ngrënia e gjakut, sepse gjaku është jeta. Mos e ha jetën bashkë me mishin. Mos e hani, por derdheni në tokë si ujë. Mos e hani, që të të shkojë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje, ngaqë do të bëni çfarë është e drejtë para Zotit. Kurse kushtet e tua të shenjta dhe flitë e kushtit do t'i marrësh e do t'i paraqesësh te vendi që do të zgjedhë Zoti. Kushtoji flitë e shkrumbimit, si mishin, edhe gjakun, mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd. Gjakun e flive derdhe mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa mishin haje. Mbaji e dëgjoji të gjitha këto fjalë që po të urdhëroj, që të të shkojë përgjithmonë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje, ngaqë do të bësh çfarë është e mirë dhe e drejtë para Zotit, Perëndisë tënd. Kur, Zoti, Perëndia yt, të t'i shfarosë kombet që do të pushtosh kur të hysh, ti do t'i zotërosh dhe do të banosh në tokën e tyre. Por, pasi të jenë shkatërruar, ruhu se mos marrosesh pas tyre, kërkon perënditë e tyre e thua: “Siç u shërbyen kombet këtyre perëndive, ashtu do të bëj edhe unë”. Mos bëj kështu me Zotin, Perëndinë tënd, sepse ata bëjnë për perënditë e tyre çdo gjë të neveritshme që urren Zoti. Ata, madje, djegin në zjarr bijtë e bijat e tyre për perënditë e tyre». «Mbani me kujdes çdo fjalë që po ju urdhëroj. Mos u shtoni e as mos u hiqni gjë. Nëse mes jush del ndonjë profet apo ëndërrimtar e ju premton ndonjë shenjë apo mrekulli, edhe nëse shenja apo mrekullia që ju premton ndodh e ju thotë të ndiqni pas e t'u shërbeni perëndive të tjerë, që nuk i njihni, mos ia dëgjoni fjalën. Zoti, Perëndia juaj, po ju vë në provë për të parë nëse e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj, e atë druani. Mbajini urdhërimet e tij e zërin e tij dëgjoni. Shërbejini atij e pas tij mbahuni fort. Ai profet apo ëndërrimtar të vritet, sepse ka folur tradhti kundër Zotit, Perëndisë tuaj, për t'ju larguar nga udha që Zoti, Perëndia juaj, i cili ju nxori nga toka e Egjiptit e ju çliroi nga skllavëria, ju urdhëroi të ndiqni. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Nëse vëllai yt, biri i nënës sate, biri apo bija jote, gruaja jote e shtrenjtë apo shoku yt i ngushtë të shtyjnë t'u shërbesh perëndive të tjerë, që nuk i keni njohur më parë as ti e as etërit e tu, perëndive prej popujve përreth jush, qofshin pranë apo larg teje, qofshin prej njërit apo tjetrit skaj të tokës, mos iu bind e as mos e dëgjo. Mos të të vijë keq për të, mos e kurse e as mos ia mbulo fajin, por vrite menjëherë. Ngrije i pari dorën për ta vrarë e më pas të ngrejë dorë gjithë populli. Vrite me gurë, sepse donte të të largonte nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori prej tokës së Egjiptit, prej vendit të skllavërisë. Atëherë i gjithë Izraeli do të dëgjojë për këtë, do të ketë frikë e nuk do të bëjë më një ligësi të tillë. Nëse dëgjon të thuhet në një prej qyteteve që po të jep Zoti, Perëndia yt, për të banuar, se dolën disa ngatërrestarë që i shtynë banorët për t'i shërbyer perëndive të tjerë, që nuk i njihni, atëherë heto, shiko e pyet mirë për këtë. Nëse del e vërtetë dhe e sigurt se një poshtërsi e tillë ka ndodhur mes jush, atëherë shkoi në teh të shpatës banorët e këtij qyteti. Qyteti e gjithçka në të do të ndahet veç, për shkatërrim. Shkoi në teh të shpatës edhe kafshët e qytetit. Mblidhe tërë plaçkën në mes të sheshit e digje me zjarr bashkë me qytetin, si fli shkrumbimi për Zotin, Perëndinë tënd. Qyteti të mbetet gërmadhë e përhershme. Të mos rindërtohet kurrë më. Të mos gjendet në dorën tënde asgjë nga qyteti i ndarë veç, për shkatërrim, që Zoti të zmbrapsë zemërimin e tij, të ketë mëshirë e dhembshuri për ty e të të shumojë siç iu betua etërve të tu. Veç t'i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke mbajtur të gjitha urdhërimet që unë po t'i urdhëroj sot dhe duke bërë çfarë është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tënd». «Jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj, prandaj kur vajtoni të vdekurin mos e çirrni veten e as mos i rruani flokët sipër ballit. Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Ndër të gjithë popujt e faqes së dheut, Zoti të zgjodhi ty, që të jesh populli i tij i çmuar. Mos hani asgjë të papastër. Mund të hani këto kafshë: kaun, delen, dhinë, drerin, gazelën, kaprollin, dhinë e egër, cjapin e maleve, antilopën e dhinë e maleve. Mund të hani çdo kafshë dythundrake që ripërtypet. Megjithatë, ndër ato që ripërtypen, ose që janë dythundrake, mos hani devenë, lepurin e baldosën, sepse edhe pse ripërtypen, nuk janë dythundrake. Ato do të jenë të papastra për ju. Edhe derri do të jetë i papastër për ju, sepse edhe pse është dythundrak, nuk ripërtypet. Mos ia hani mishin e mos ia prekni kufomën. Nga të gjitha kafshët e detit mund të hani çdo gjë që ka pendë e luspa. Mos hani asgjë gjë që nuk ka pendë e luspa. Ato do të jenë të papastra për ju. Mund të hani çdo shpend të pastër. Prej tyre mos hani shqiponjën, hutën, fajkoin, qiftin, çdo lloj skifteri, çdo lloj korbi, strucin, kukuvajkën, pulëbardhën, çdo lloj fajkoi, hutën, bufin, zhytrën, pelikanin, kërmëngrënësin, karabullakun, lejlekun, çdo lloj çafke, pupëzën dhe lakuriqin e natës. Çdo insekt fluturues do të jetë i papastër për ju. Mos i hani. Mund të hani çdo fluturak të pastër. Mos e hani mishin e kafshëve të ngordhura. Mund t'ia jepni për ta ngrënë të ardhurit, që banon në qytetet tuaja, ose mund t'ia shisni të huajit. Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës. Kushto të dhjetën e gjithë prodhimeve vjetore nga arat e mbjella. Haje të dhjetën e drithit, të verës së re, të vajit dhe të parëlindurin e dhenve e të qeve në prani të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, që të mësosh ta druash përherë Zotin, Perëndinë tënd. Nëse nuk i çon dot të dhjetat, sepse rruga për te vendi, që Zoti do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, është tepër larg dhe sepse Zoti, Perëndia yt, të ka bekuar shumë, atëherë këmbeji ato në para. Shko me para në dorë në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, e aty blej çfarë të duash, dhen, qe, verë, pije të forta e çdo gjë që ta ka ënda. Pastaj ha e festo bashkë me familjen tënde në prani të Zotit, Perëndisë tënd. Mos e harroni levitin që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush. Në fund të çdo viti të tretë sille të dhjetën e tërë prodhimeve të atij viti në hyrje të qytetit. Atëherë të vijë leviti, që nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush, i ardhuri, jetimi dhe e veja, që banojnë në qytet, e të hanë e të ngopen. Kështu, Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër të duarve të tua». «Në fund të çdo viti të shtatë do të shpallësh shlyerjen e huave. Atë vit do të veprohet kështu: çdo huadhënës do ta falë huan e dhënë e nuk do ta kërkojë atë nga i afërti apo nga i vëllai, sepse është viti i faljes së Zotit. Të huajve mund t'ua kërkosh huan, vëllezërve të tu, do t'ua falësh. Gjithsesi, nuk do të ketë skamnorë mes jush, sepse Zoti, Perëndia yt, do ta bekojë tokën, që po të jep për trashëgimi, nëse e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, e i mban tërë këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot. Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë, siç të premtoi e ti do t'u japësh hua shumë kombeve, por vetë nuk do të marrësh hua. Do të sundosh shumë kombe, por ty nuk do të të sundojnë. Por, nëse ka ndonjë skamnor mes izraelitëve, vëllezërve të tu, në ndonjë prej qyteteve në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, mos u trego zemërgur e dorështrënguar me vëllanë tënd nevojtar. Ji dorëhapur me të e jepi hua mjaftueshëm çka do që ka nevojë. Ruhu se mendon gjëra të pahijshme e thua: “Do ta shpërfill vëllanë nevojtar e nuk do t'i jap hua, ngaqë po afron viti i shtatë, viti i faljes së huave”. Atëherë ai do t'i thërrasë Zotit kundër teje dhe ti do të biesh në mëkat. Jepi me gjithë zemër e pa u trishtuar, sepse kështu, Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër e çdo punë të duarve të tua. Ngaqë skamnorët nuk do të reshtin në tokën tënde, unë po të urdhëroj që të tregohesh dorëhapur ndaj vëllait tënd nevojtar e të varfër. Nëse të shesin ndonjë hebre apo hebreje, ai ose ajo do të të shërbejë për gjashtë vjet, por vitin e shtatë do ta lësh të shkojë të lirë. Kur ta lësh të lirë, mos e nis duarzbrazur. Mbushe plot me prodhimet e bagëtisë, lëmit e torkut tënd. Jepi, siç të bekoi edhe ty Zoti, Perëndia yt. Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se të çliroi Zoti, Perëndia yt, prandaj dhe unë po ta urdhëroj sot këtë gjë. Por, nëse ai thotë: “Nuk dua të largohem prej teje”, sepse e do shtëpinë tënde dhe gjendet mirë me ty, atëherë merr një fëndyell, shpoja veshin te dera dhe ai do të jetë përgjithmonë skllavi yt. Kështu do të bësh edhe me skllaven tënde. Mos të të duket e vështirë ta lësh të lirë, sepse për gjashtë vjet ai të shërbeu sa dyfishi i një mëditësi. Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo gjë që bën. Shenjtëroja Zotit, Perëndisë tënd, të gjithë të parëlindurit meshkuj të qeve e të dhenve. Mos e vër në punë të parëlindurin e kaut e mos e qeth të parëlindurin e dhenve. Ti dhe familja jote t'i hani çdo vit para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti. Nëse i parëlinduri ka ndonjë të metë, nëse është i çalë, i verbër apo ka ndonjë të keqe tjetër, mos ia flijo Zotit, Perëndisë tënd. Atë mund ta hash në qytetin tënd dhe prej tij mund të hajë si i pastri, ashtu edhe i papastri, siç hahet mishi i gjahut. Gjakun mos ia ha, por derdhe në tokë si ujë». «Mbaje muajin Abib e kremto Pashkën e Zotit, Perëndisë tënd, sepse në muajin Abib, Zoti, Perëndia yt, të nxori natën nga Egjipti. Kushto dhen e qe si fli Pashke për Zotin, Perëndinë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti, për të vënë emrin e tij. Mos ha bukë të mbrume me flinë e Pashkës. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, bukën e mjerimit, sepse dole me ngut nga toka e Egjiptit. Do ta përkujtosh gjatë gjithë jetës tënde ditën kur dole nga toka e Egjiptit. Për shtatë ditë të mos gjendet tharm askund në vendin tënd. Mos ruaj për të nesërmen asgjë nga mishi që do të flijosh në mbrëmje. Nuk lejohet ta kushtosh flinë e Pashkës në asnjërin nga qytetet që po të jep Zoti, Perëndia yt, përveçse në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, për të vënë emrin e tij. Atje do ta flijosh Pashkën në mbrëmje, kur të perëndojë dielli, në kohën kur dole nga Egjipti. Do ta gatuash e do ta hash në vendin që Zoti, Perëndia yt, do të zgjedhë dhe në mëngjes do të kthehesh në tendat e tua. Për gjashtë ditë do të hash bukë të ndorme. Ditën e shtatë do të mbash një mbledhje festive për Zotin, Perëndinë tënd. Atë ditë nuk do të bësh asnjë punë. Numëro shtatë javë nga fillimi i të korrave. Pastaj kremto festën e Javëve për Zotin, Perëndinë tënd, duke sjellë fli vullnetare, aq sa të ka dhënë Zoti, Perëndia yt. Ti, biri yt, bija jote, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, leviti, që banon në qytetin tënd, dhe i ardhuri, jetimi e vejusha, që banojnë në vendin tënd, do të kremtojnë para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, për të vënë emrin e tij. Mos harro se edhe ti ishe skllav në Egjipt. Mbaji e zbatoji këto rregulla. Kur të mbledhësh prodhimin e lëmit e të torkut, kremto për shtatë ditë festën e Kasolleve. Ti, birit yt, bija jote, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, leviti, i ardhuri, jetimi e vejusha, që banojnë në qytetit tënd, do të kremtojnë e festojnë. Për shtatë ditë do të festosh për Zotin, Perëndinë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti. Do të festosh plot gëzim, sepse Zoti, Perëndia yt, do t'i bekojë të gjitha prodhimet e veprat e duarve të tua. Tri herë në vit të gjithë meshkujt e tu do të paraqiten para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë, për festën e të Ndormeve, për festën e Javëve dhe për festën e Kasolleve. Askush të mos dalë para Zotit duarzbrazur, por të sjellë aq sa i ka dhënë Zoti, Perëndia yt. Cakto gjykatës e mbikëqyrës në çdo qytet që Zoti, Perëndia yt, po të jep sipas fiseve, që ta gjykojnë popullin me drejtësi. Mos e shtrembëro drejtësinë e mos mbaj anë. Mos merr mitë, sepse mita i verbon sytë e të urtëve e i shtrembëron fjalët e të drejtëve. Drejtësinë dhe vetëm drejtësinë do të ndjekësh, që të jetosh e ta pushtosh tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. Mos mbill pemë si shtylla Asheraje përbri altarit që do të ndërtosh për Zotin, Perëndinë tënd. Mos ngri përmendore që Zoti, Perëndia yt, urren». «Mos i flijo Zotit, Perëndisë tënd, ka apo dele me ndonjë të metë apo ndonjë të keqe tjetër, sepse është e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd. Nëse gjendet në mesin tënd, në ndonjërin prej qyteteve që po të jep Zoti, Perëndia yt, ndonjë burrë apo grua, që bën çka është e ligë para Zotit, Perëndisë tënd, nëse ai apo ajo e thyen besëlidhjen e Zotit duke i shërbyer perëndive të tjerë e duke adhuruar diellin, hënën apo gjithçka që është në qiell, të cilët unë i ndalova, atëherë, pasi të vihesh në dijeni, hetoje mirë. Nëse del e vërtetë se një poshtërsi e tillë është kryer në Izrael, atëherë sille te portat e qytetit këtë burrë apo grua që ka kryer këtë gjë të ligë e vrite me gurë. Dënimi me vdekje të jepet në bazë të dy ose tre dëshmitarëve. Mos jep dënim me vdekje në bazë të një dëshmitari të vetëm. Dëshmitarët t'i ngrenë duart të parët për të qëlluar me gurë e pastaj t'i ngrejë duart tërë populli. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Nëse e ke të vështirë të gjykosh ndonjë çështje ligjore, që del në qytetin tënd, çështje gjakderdhjeje, të drejte apo çështje dëmi, shko te vendi që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. Do t'u drejtohesh priftërinjve levitë dhe gjykatësit që është në detyrë gjatë asaj kohe. Do t'i pyesësh për çështjen në fjalë dhe ata do të të japin një vendim. Vepro sipas vendimit që do të të jepet në vendin që do të zgjedhë Zoti. Bëj me kujdes gjithçka që do të të mësojnë ata. Vepro sipas ligjit që të mësojnë ata e sipas vendimit që të thonë ata. Mos iu shmang as djathtas e as majtas fjalës që të tregojnë ata. Ai që, për shkak të mendjemadhësisë, nuk e dëgjon gjykatësin ose priftin që i shërben atje Zotit, Perëndisë tënd, të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë prej Izraelit. Tërë populli do të dëgjojë, do të ketë frikë e nuk do sillet më me mendjemadhësi. Kur të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të e të thuash: “Dua të vë një mbret, siç bëjnë tërë popujt përreth meje”, atëherë cakto mbret atë që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. Merre mbretin nga mesi i vëllezërve të tu. Mos merr një të huaj që nuk është vëllai yt. Veçse, mbreti nuk duhet të mbledhë shumë kuaj e nuk duhet ta çojë popullin në Egjipt, që të shtojë numrin e kuajve, sepse Zoti të tha që të mos i kthehesh më asaj udhe. Të mos ketë shumë gra, që të mos i shmanget zemra nga udha e Zotit. Të mos ketë me tepri ar e argjend. Kur të marrë fronin e mbretërisë, të shkruajë për vete një kopje të këtij ligji në prani të priftërinjve levitë. Ta ketë me vete e ta lexojë tërë ditët e jetës së tij, që të mësojë ta druajë Zotin, Perëndinë e tij, e të mbajë e zbatojë çdo fjalë të këtij ligji e të këtyre rregullave. Të mos jetë kryelartë përmbi vëllezërit e të mos u shmanget as djathtas e as majtas urdhërimeve, që të mbretërojë gjatë ai dhe bijtë e tij në Izrael». «Priftërinjtë levitë, pra, tërë fisi i levitëve, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi me Izraelin. Flija e zjarrit për Zotin dhe pjesa e tij do të jenë ushqim për ta. Ata nuk do të kenë asnjë pronë mes vëllezërve. Zoti është trashëgimia e tyre, sikurse u tha. Kjo është pjesa që u përket priftërinjve nga populli, prej flive që kushtohen, qe apo dhen: priftit do t'i jepen shpatulla, nofullat e mullëza. Do t'i japësh frytin tënd të parë të drithit, të verës e të qethjes së dhenve, sepse nga gjithë fiset e tua, Zoti, Perëndia yt, e zgjodhi, që të shërbejë përherë në emër të Zotit, ai e bijtë e tij. Nëse ndonjë levit dëshiron të ikë nga qyteti ku banon në Izrael, për të shkuar në vendin që do të zgjedhë Zoti, të bëjë kështu sa herë që do. Të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, njësoj si vëllezërit e tij levitë që shërbejnë atje para Zotit. Atij do t'i përkasë e njëjta pjesë e ushqimit, pavarësisht shumës së marrë nga shitja e pasurisë që ka familja e tij. Kur të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, mos i mëso veprat e neveritshme të atyre popujve. Të mos gjendet mes jush askush që kushton në zjarr birin apo bijën e vet, që merret me shorti, që hedh fall, që ndjek ogur, që bën magji, që shiton, që thërret hije e shpirtra e që flet me të vdekurit, sepse të gjitha këto janë të neveritshme për Zotin. Për shkak të këtyre veprave të neveritshme, Zoti, Perëndia yt, po t'i zbon këta popuj. Ji i përsosur me Zotin, Perëndinë tënd. Këta popuj që po pushton dëgjuan falltarë e shortarë, ndërsa ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të mësoi kështu. Zoti, Perëndia yt, do të nxjerrë nga mesi juaj, nga vëllezërit tuaj, një profet si unë. Atë dëgjoni. Kështu i kërkove Zotit, Perëndisë tënd, në Horeb, ditën kur u mblodhët e thatë: “Nuk dua ta dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe nuk dua ta shoh më këtë zjarr të madh, që të mos vdes”. Atëherë Zoti më tha: “Mirë thanë. Unë do të nxjerr nga mesi i vëllezërve të tyre një profet si ti. Do t'ia vë fjalët e mia në gojë e ai do t'u thotë çdo gjë që do t'i urdhëroj. Kush nuk i dëgjon fjalët e mia, që ai thotë në emrin tim, do të përballet me mua. Profeti, që guxon të thotë në emrin tim fjalë, që unë nuk i kam urdhëruar të thotë, apo flet në emër të perëndive të tjerë, do të dënohet me vdekje”. Nëse thua me vete: “Si do ta marrim vesh, kur nuk janë fjalët e Zotit?”, atëherë do ta dish se nëse fjalët që thotë profeti në emër të Zotit nuk ndodhin, ato nuk ishin prej Zotit. Profeti ka folur me mendjemadhësi, prandaj mos e ki frikë». «Kur Zoti, Perëndia yt, të shfarosë popujt, tokën e të cilëve po ta jep, e kur t'i pushtosh dhe të banosh në qytetet e shtëpitë e tyre, cakto tri qytete në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, për ta pushtuar. Ndaje në tri krahina tokën, që do të të japë për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, dhe ndërto rrugë, që vrasësit të mund të ikin atje. Sipas këtij ligji, vrasësi mund të ikë atje për të shpëtuar, vetëm nëse e vret të afërtin padashur e pa pasur më parë ndonjë armiqësi me të. Nëse ndodh, pra, që ai shkon në pyll me dikë, për të prerë dru, e, ndërsa priste dru, koka e sëpatës del nga bishti, i bie tjetrit dhe ai vdes, atëherë vrasësi të ikë në njërin prej këtyre qyteteve, që të shpëtojë. Por, nëse rruga është e gjatë, gjakmarrësi do ta ndjekë me gjaknxehtësi, do ta zërë e do t'ia marrë jetën edhe pse vrasësi nuk e meritonte të dënohej me vdekje, ngaqë nuk pati ndonjë armiqësi mes tyre. Prandaj dhe po të urdhëroj të caktosh tri qytete. Nëse Zoti, Perëndia yt, t'i zgjeron kufijtë, siç iu betua etërve të tu, e të jep tërë tokën që u premtoi atyre, ngaqë i mbajte të gjitha këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot, për ta dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe për ta ndjekur udhën e tij tërë jetën, atëherë shto edhe tri qytete të tjera. Kështu, nuk do të derdhet gjak i pafajshëm në tokën që po të jep për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, dhe ti nuk do të jesh fajtor për gjakun e derdhur. Por, nëse dikush e urren të afërtin, i vë pritë, e sulmon, e qëllon dhe ai vdes, nëse vrasësi ikën në njërin prej këtyre qyteteve, atëherë pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë njerëz për ta marrë që andej, do t'ia dorëzojnë gjakmarrësit dhe ai do të vdesë. Mos të të vij keq për të. Hiqe derdhjen e gjakut të pafajshëm në Izrael e do të të shkojë mbarë. Mos i ndrysho kufijtë e pronës së të afërtit, që u vendosën nga të parët për pjesën që do të trashëgosh në vendin që do të të japë për ta pushtuar Zoti, Perëndia yt. Të mos dalë vetëm një dëshmitar për ndonjë faj ose shkelje që është kryer. Do të jetë e vlefshme vetëm dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve. Nëse del ndonjë dëshmitar i rremë, për të paditur dikë si keqbërës, atëherë të dyja palët të paraqiten para Zotit, priftërinjve e gjykatësve, që shërbejnë në atë kohë. Gjykatësit ta shqyrtojnë mirë çështjen. Nëse dëshmitari është i rremë dhe e ka paditur të afërtin padrejtësisht, atëherë gjykatësit të veprojnë me dëshmitarin ashtu siç ai donte të veprohej me të paditurin. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Të tjerët do ta dëgjojnë, do të kenë frikë e nuk do të përsërisin më të njëjtën ligësi në mesin tënd. Mos të të vijë keq për të: jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë». «Kur të dalësh për luftë kundër armiqve e të shohësh kuaj, karroca e popuj më të mëdhenj se ti, mos ki frikë, sepse me ty është Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga toka e Egjiptit. Para se të nisesh për luftë, do të vijë prifti e do t'i thotë popullit: “Dëgjo Izrael, sot po nisesh për luftë kundër armiqve. Mos t'ju lëshojë zemra, mos kini frikë, mos u trembni e mos u tmerroni para tyre. Zoti, Perëndia juaj, do të dalë në luftë bashkë me ju, për të luftuar kundër armiqve tuaj e për t'ju dhënë fitoren”. Pastaj eprorët do t'i thonë popullit: “Kushdo që ka ndërtuar shtëpi të re, por nuk ka hyrë ende në të, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të hyjë dikush tjetër. Kushdo që ka mbjellë një vresht e nuk e ka gëzuar ende, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e t'ia gëzojë dikush tjetër. Kushdo që është i fejuar, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të martohet dikush tjetër me të fejuarën”. Pastaj eprorët do të shtojnë: “Kushdo që është frikacak e zemërlëshuar, të kthehet mbrapa, që të mos ua ligështojë zemrën të tjerëve”. Kur të mbarojnë së foluri eprorët, prijësit e ushtrisë të vihen në krye të popullit. Kur t'i afrohesh qytetit që do të sulmosh, njoftoi kushtet e paqes. Nëse i pranon e t'i hap portat, i gjithë populli i qytetit do të të shërbejë me punë të detyruar. Nëse nuk i pranon e të bën luftë, rrethoje. Zoti, Perëndia yt, do të ta dorëzojë. Shkoi në teh të shpatës të gjithë meshkujt e qytetit, por gratë, fëmijët, kafshët e gjithçka në të, pra tërë plaçka e qytetit, është e jotja. Gëzoje prenë e armikut që të dha Zoti, Perëndia yt. Kështu vepro me të gjitha qytetet që janë shumë larg e nuk u përkasin këtyre kombeve. Por, në këto qytete që po të jep trashëgimi Zoti, Perëndia yt, mos lër frymë gjallë. Shkatërroji plotësisht hititët, amoritët, kananitët, perizitët, hivitët e jebusitët, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt, që mos t'ju mësojnë tërë veprat e tyre të neveritshme, që ata bëjnë për perënditë e tyre, dhe, si pasojë, të mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj. Kur sulmon ndonjë qytet, për ta pushtuar dhe e rrethon për një kohë të gjatë, mos i prit me sëpatë pemët përreth. Do të hash prej tyre, prandaj mos i prit. A mos janë njerëz pemët e fushës, që t'i sulmosh? Vetëm pemët që e di se nuk janë frutore mund t'i shkatërrosh ose presësh, për të ndërtuar mjete për rrethimin e qytetit, që po bën luftë kundër teje, derisa ai të bjerë». «Nëse në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep për të pushtuar gjendet dikush i vrarë përtokë e askush nuk e di se kush e vrau, pleqtë dhe gjykatësit të dalin e të llogaritin largësinë mes kufomës dhe qyteteve përreth. Pleqtë e qytetit më të afërt të marrin një mëshqerrë që nuk është vënë në punë apo në zgjedhë. Pleqtë ta çojnë mëshqerrën në një luginë me ujë të rrjedhshëm, të papunuar e të pambjellë, e atje t'i thyejnë qafën. Atëherë do të vijnë priftërinjtë, bijtë e Levit, sepse ata i zgjodhi Zoti, Perëndia yt, që t'i shërbejnë e të bekojnë në emër të Zotit. Fjala e tyre do t'i japë fund çdo zënke e mosmarrëveshjeje. Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt të lajnë duart mbi mëshqerrën, të cilës ia thyen qafën në luginë e të thonë: “Duart tona nuk e derdhën këtë gjak e sytë tanë nuk panë asgjë. Shlyeje, o Zot, fajin e Izraelit, popullit tënd, që e çlirove. Mos ia ngarko Izraelit, popullit tënd, gjakun e pafajshëm”. Kështu faji i gjakderdhjes do t'u shlyhet e ti do ta zhdukësh këtë faj nga mesi yt, sepse veprove drejt para Zotit. Kur të shkosh në luftë kundër armiqve dhe Zoti, Perëndia yt, t'i dorëzon e ti i zë rob, nëse sheh mes robërve ndonjë grua të pashme, që e dëshiron dhe e merr për grua, atëherë, kur ta sjellësh në shtëpi, ajo ta rruajë kokën, të presë thonjtë dhe të heqë rrobat e robërisë. Të rrijë në shtëpinë tënde e të vajtojë të atin e të ëmën për një muaj. Pastaj mund të flesh me të. Ti do të bëhesh burri i saj dhe ajo do të jetë gruaja jote. Nëse nuk do të jesh i kënaqur me të, lëre të shkojë e lirë. Nuk do ta shesësh me para e as nuk do ta trajtosh si skllave, sepse tashmë e ke poshtëruar. Nëse dikush ka dy gra dhe njërën e do, por tjetrën e urren, dhe nëse të dyja i lindin nga një djalë, por gruaja që urren lind e para, kur të vijë koha për të ndarë pasurinë mes fëmijëve, nuk mund ta trajtojë birin e gruas që do sikur të ishte i parëlinduri i gruas që urren. Ta pranojë të parëlindurin, birin e gruas që urren, dhe t'i japë dyfishin e gjithçkaje, sepse ai është i fryti i parë i burrërisë së tij dhe atij i përket e drejta e parëlindjes. Nëse dikush ka një djalë kokëfortë e të pabindur, që nuk ia dëgjon fjalën të atit apo të ëmës, edhe pasi e qortojnë, atëherë i ati dhe e ëma ta marrin të birin e ta çojnë te pleqtë e qytetit, te portat e atij vendi e t'u thonë: “Ky, biri ynë, është kokëfortë, i pabindur, nuk na e dëgjon fjalën, është grykës e pijanec”. Atëherë të gjithë njerëzit e qytetit ta vrasin me gurë. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Tërë Izraeli do të dëgjojë e do të ketë frikë. Nëse dikush kryen ndonjë mëkat, që ndëshkohet me vdekje, vritet dhe varet në pemë, mos e lër kufomën të varur gjatë natës. Varrose po atë ditë, sepse i varuri është mallkim para Perëndisë. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt». «Kur has kaun ose delen e të afërtit, që enden rrugëve, mos bëj sikur nuk i sheh, por merri e çoja. Nëse i zoti nuk banon pranë e ti nuk e njeh, merri në shtëpi, mbaji derisa ai t'i kërkojë e atëherë ktheja. Kështu vepro edhe me gomarin, rrobën apo gjithçka të humbur që gjen. Mos bëj sikur nuk i sheh. Kur has gomarin ose kaun e të afërtit të rrëzuar në rrugë, mos bëj sikur nuk sheh, por ndihmoje ta ngrejë. Gruaja të mos mbajë rroba burrash e as burri të mos vishet me rroba grash, sepse kushdo që bën kështu i neveritet Zotit, Perëndisë tënd. Nëse rrugës gjen ndonjë fole me zogj apo me vezë, mbi pemë apo përtokë, dhe mbi to rri e ëma, mos ua merr klloçkën zogjve. Lëre klloçkën të lirë, ndërsa zogjtë merri me vete. Kështu, do të të shkojë mbarë e do të jetosh gjatë. Kur të ndërtosh një shtëpi të re, bëj edhe një parmak për tarracën, që të mos biesh në gjak nëse dikush bie prej saj. Mos mbill fara të ndryshme në vresht, përndryshe i gjithë prodhimi, fryti i vreshtit e fara e hedhur, do të përdoren për kushtim. Mos lëro me ka e gomar bashkë. Mos vish rroba të thurura me lesh e li bashkë. Bëj thekë për katër cepat e mbulojës që hedh krahëve. Nëse dikush merr grua, fle me të e pastaj e urren, shpif për të e i nxjerr nam të keq duke thënë: “Kjo është gruaja që mora për bashkëshorte, por, kur fjeta me të, nuk e gjeta të virgjër”, atëherë i ati dhe e ëma e vashës të shkojnë te porta e qytetit dhe të provojnë virgjërinë e vashës para pleqve të qytetit. I ati i vashës do t'u thotë pleqve: “Këtij burri ia dhashë bijën time për grua, por ky e urren e tani thotë: ‘Bija jote nuk ishte e virgjër’. Ja provat e virgjërisë”. E pastaj do të shtrijnë rrobën para pleqve të qytetit. Atëherë pleqtë e qytetit ta marrin të shoqin e ta dënojnë. Ta gjobisin me njëqind sikla argjendi e t'ia japin të atit të vashës, sepse i nxori nam të keq një virgjëreshe të Izraelit. Ajo do të mbetet bashkëshortja e tij e ai nuk mund ta ndajë sa të jetë gjallë. Nëse është e vërtetë që ajo nuk ishte e virgjër, nxirre vashën te dera e shtëpisë së të atit e njerëzit e qytetit ta vrasin me gurë. Ajo të dënohet me vdekje, sepse duke kurvëruar në shtëpinë e të atit, bëri diçka të turpshme në Izrael. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Nëse ndonjë burrë kapet në shtrat me të shoqen e dikujt tjetri, dënoji me vdekje të dy, si burrin, edhe gruan. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga Izraeli. Nëse dikush gjen në qytet një vashë të virgjër, të fejuar me dikë tjetër, e shkon në shtrat me të, nxirri të dy te porta e qytetit e vriti me gurë. Vasha do të dënohet, sepse nuk kërkoi ndihmë në qytet, ndërsa burri do të dënohet, sepse poshtëroi gruan e tjetrit. Nëse dikush gjen në fushë një vashë, të fejuar me dikë tjetër, e zë e bie në shtrat me të, atëherë të dënohet me vdekje vetëm burri. Vashës nuk do t'i bësh gjë. Ajo nuk ka kryer asnjë mëkat të dënueshëm me vdekje. Ky rast ngjan me vrasjen, kur dikush sulmon të afërtin dhe e vret. Ai e gjeti në fushë, vasha e fejuar bërtiti, por askush nuk e shpëtoi. Nëse dikush gjen një vashë të virgjër, që nuk është e fejuar, e merr e bie në shtrat me të, pastaj i kapin, atëherë burri t'i japë të atit të vashës pesëdhjetë sikla argjendi. Ai do të martohet me vashën, sepse e poshtëroi dhe nuk mund ta ndajë sa të jetë gjallë». «Askush të mos martohet me gruan e të atit, se e turpëron të atin. Asnjë i tredhur apo me gjymtyrën mashkullore të prerë, nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e Zotit. Asnjë fëmijë i paligjshëm nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e Zotit. Madje, as pasardhësit e brezit të tij të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Amonitët e moabitët nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Madje, as pasardhësit e brezit të tyre të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Nuk do të marrin pjesë kurrë, sepse nuk ju pritën rrugës me bukë e ujë, kur dolët nga Egjipti. Ata paguan Balaamin, birin e Beorit, nga Petora e Aram Naharaimit, që t'ju mallkonte, por Zoti, Perëndia yt, nuk deshi ta dëgjonte Balaamin. Zoti, Perëndia yt, ta ktheu mallkimin në bekim, sepse të do. Sa të jesh gjallë, mos bëj kurrë paqe me ta e mos iu sill mbarësi. Mos e urre edomitin se e ke vëlla. Mos e urre as egjiptianin, sepse ishe i huaj në tokën e tij. Pasardhësit e brezit të tyre të tretë mund të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit. Kur të fushosh kundër armiqve, ruhu nga gjithçka e keqe. Nëse dikush prej jush është i papastër, për shkak të derdhjes së farës gjatë natës, të dalë jashtë fushimit e të mos hyjë brenda. Në të ngrysur të lahet me ujë e të hyjë brenda fushimit pasi të perëndojë dielli. Cakto një vend jashtë fushimit për nevojat vetjake. Mbaj një lopatë me pajisjet e tua, që, kur të dalësh jashtë, të hapësh një gropë e ta mbulosh jashtëqitjen. Fushimi yt do të jetë i shenjtë, sepse Zoti, Perëndia yt, ecën përmes fushimit, që të të ruajë e të t'i shtjerë në dorë armiqtë e tu. Nëse duket ndonjë gjë e pahijshme, ai do të largohet prej teje. Mos ia dorëzo të zotit skllavin që iku e erdhi te ti. Le të rrijë me ty, në vendin ku ti banon e të zgjedhë një qytetet që i pëlqen. Mos e shfrytëzo. Asnjë nga bijat e Izraelit të mos jetë lavire kulti e asnjë nga bijtë e Izraelit të mos jetë lavir kulti. Mos kushto në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, çmimin e lavires e të qenit, sepse që të dy i neveriten Zotit, Perëndisë tënd. Mos i kërko vëllait kamatë për paratë, ushqimin e gjithçka tjetër që i ke dhënë hua. Kërkoja kamatën të huajit, por jo vëllait, që Zoti, Perëndia yt, të bekojë çdo vepër të duarve të tua në tokën ku po hyn për ta pushtuar. Kur t'i zotohesh Zotit, Perëndisë tënd, mos vono ta kryesh zotimin, sepse Zoti, Perëndia yt, nuk të lë pa ta kërkuar e kështu do të biesh në mëkat. Por, nëse nuk zotohesh, nuk do të biesh në mëkat. Zbato me kujdes çdo fjalë që del nga goja jote, siç iu zotove vetë Zotit, Perëndisë tënd, kur fole me buzët e tua. Kur të hysh në vreshtin e tjetrit, mund të hash sa ta ka ënda, por mos e mbush shportën. Kur të hysh në arën e grurit të tjetrit, mund të këputësh kallinj me dorë, por mos korr me drapër». «Kur një burrë martohet me një grua e ajo nuk i pëlqen më, sepse zbulon diçka të turpshme, t'i shkruajë fletëndarjen, t'ia japë në dorë, ta dëbojë nga shtëpia e ajo të ikë prej tij. Nëse ajo martohet me dikë tjetër, por edhe bashkëshorti i dytë i shkruan fletëndarjen, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia, ose ai vdes, atëherë bashkëshorti i parë, që e dëboi në fillim, nuk mund ta marrë sërish për grua, sepse ajo është përdhosur. Kjo gjë është e neveritshme para Zotit. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt. I sapomartuari nuk do të shkojë në ushtri e nuk do ketë asnjë detyrim. Ai do të jetë i lirë në shtëpinë e vet për një vit, që ta gëzojë gruan që mori. Askush të mos marrë peng mokrën e as gurin e sipërm të saj, sepse kështu merr peng jetën e tjetrit. Nëse dikush rrëmben vëllanë izraelit, e trajton si skllav apo e shet, ky keqbërës të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Ki shumë kujdes gjatë lebrës. Vepro siç do të të mësojnë priftërinjtë levitë. Mbajini të gjitha urdhërimet që u urdhërova priftërinjve. Mbaj mend se çfarë i bëri Zoti, Perëndia yt, Mirjamës rrugës kur po dilnit nga Egjipti. Kur t'i japësh hua tjetrit, mos i shko në shtëpi për t'ia marrë pengun. Prit jashtë e atje huamarrësi do të ta sjellë pengun. Nëse ai është i varfër, mos ia mbaj pengun gjatë natës. Ktheja menjëherë në të perënduar, që ai të shtrihet në rrobën e vet e të të bekojë. Kjo do të të bëjë të drejtë para Zotit, Perëndisë tënd. Mos e shfrytëzo mëditësin e varfër e nevojtar, as izraelitin e as të huajin që banon në një nga qytetet e tua. Jepja përditë pagën, përpara se të perëndojë dielli, sepse është i varfër e me të mbahet gjallë, që ai të mos e thërrasë Zotin kundër teje e ti të biesh në mëkat. Mos i dëno me vdekje etërit për faj të fëmijëve e as fëmijët për faj të etërve. Secili do të dënohet me vdekje për fajin e vet. Mos ia shtrembëro të drejtën të ardhurit jetim. Mos ia merr peng rrobën të vesë. Mos harro se edhe ti ishe skllav në Egjipt e Zoti, Perëndia yt, të çliroi prej andej, prandaj unë po të urdhëroj që të bësh kështu. Kur të korrësh arën, nëse harron ndonjë dorëz, mos u kthe ta marrësh. Lëre për të ardhurin, jetimin e të venë, që Zoti, Perëndia yt, të bekojë çdo vepër të duarve të tua. Kur t'i shkundësh ullinjtë nga pema, mos këput çfarë mbetet nëpër degë. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. Kur të vjelësh vreshtin, mos i mblidh vilet e mbetura. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. Kujtohu se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit, prandaj edhe unë po të urdhëroj që të bësh këtë gjë». «Kur të keni ndonjë mosmarrëveshje, dilni para gjykatësve, që të gjykoheni. Ata do t'i japin të drejtë të pafajshmit e do të dënojnë fajtorin. Nëse fajtori meriton të fshikullohet, gjykatësi të urdhërojë ta shtrijnë përtokë e ta rrahin para tij. Numri i fshikullimave të përkojë me masën e fajit, por të mos jetë më shumë se dyzet. Mos e fshikullo më shumë se dyzet herë, që të mos e turpërosh vëllanë tënd. Mos ia lidh gojën kaut që shin. Nëse vëllezërit banojnë bashkë e njëri prej tyre vdes pa lënë djalë, e shoqja të mos martohet me një të huaj jashtë familjes. Me të le të flejë kunati e ta marrë për grua, që të përmbushë detyrimin e kunatit. Djali i parë që do t'i lindë do të mbajë gjallë emrin e vëllait të vdekur, që të mos shuhet emri i tij në Izraeli. Nëse vëllai nuk ka dëshirë të martohet me kunatën, atëherë ajo të shkojë te pleqtë, te portat e qytetit e të thotë: “Kunati nuk dëshiron ta mbajë gjallë emrin e të vëllait në Izrael. Ai nuk dëshiron të përmbushë detyrimin e kunatit”. Pleqtë do ta thërrasin e do të flasin me të, por nëse ai këmbëngul e thotë: “Nuk dua ta marr për grua”, ajo t'i afrohet kunatit e, në sy të pleqve, t'ia heqë sandalet, ta pështyjë në fytyrë e t'i thotë: “Kështu e do ai që nuk e mbështet shtëpinë e vëllait të vet”. Në Izrael, familja e tij do të quhet “shtëpia këmbëzbathur”. Nëse dy burra grinden dhe gruaja e njërit vjen dhe, për ta shpëtuar të shoqin, e kap tjetrin prej gjymtyrës mashkullore, pritja dorën e mos të të vijë keq për të. Mos mbaj në trastë gurë të ndryshëm peshe, një më të rëndë e një më të lehtë. Mos mbaj në shtëpi masa të ndryshme peshe, një më të madhe e një më të vogël. Masën e gurin e peshës mbaje të saktë e të përpiktë, që të rrosh gjatë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. Të gjithë ata, që bëjnë këto padrejtësi, i neveriten Zotit, Perëndisë tënd. Mos harro çfarë të bëri Amaleku rrugës, kur dole nga Egjipti, si të sulmoi e si u ra atyre që mbetën mbrapa, kur ishe i lodhur e i drobitur. Ai nuk e pati frikë Perëndinë. Prandaj, kur Zoti, Perëndia yt, të të japë prehje nga armiqtë përreth, në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep për ta zotëruar si trashëgimi, mos harro ta shuash emrin e Amalekut nën qiell». «Kur të hysh në tokën që po të jep për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të, merri të gjitha prodhimet e para të tokës që po të jep Zoti, Perëndia yt, vendosi në shportë e shko te vendi që Zoti, Perëndia yt, do të zgjedhë për të vënë emrin e tij. Shko te prifti që shërben gjatë asaj kohe e thuaji: “Unë shpall sot para Zotit, Perëndisë tënd, se hyra në tokën që Zoti u premtoi etërve tanë se do të na e jepte neve”. Atëherë prifti do të ta marrë shportën nga dora e do ta vendosë para altarit të Zotit, Perëndisë tënd. Ti do të përgjigjesh e do të thuash para Zotit, Perëndisë tënd: “Im atë ishte një arameas endacak, shkoi në Egjipt me një grusht njerëz e atje banoi si i huaj. U bë një komb i madh, i fuqishëm e i shumtë. Egjiptianët na keqtrajtuan, na shtypën e na munduan me punë të rënda. Ne i thirrëm Zotit, Perëndisë së etërve tanë, e Zoti na dëgjoi e i pa vuajtjet, mundimet dhe mjerimin tonë. Ai na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme, me krah të fortë, me vepra të tmerrshme, me shenja e mrekulli. Na solli në këtë vend e na dha këtë tokë, tokën që rrjedh qumësht e mjaltë. Prandaj dhe i solla frytet e para të tokës që më dhe ti, o Zot ”. Atëherë vendosi para Zotit, Perëndisë tënd, e përkulu me nderim para tij. Gëzohuni, ti, leviti dhe i ardhuri mes teje, me çdo të mirë që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate. Kur të kesh mbaruar së mbledhuri të dhjetën e tërë prodhimeve të vitit të tretë, që është viti i të dhjetave, jepja levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, që ata të hanë në qytet e të ngopen. Atëherë do të thuash para Zotit, Perëndisë tënd: “E hoqa të dhjetën e shenjtëruar nga shtëpia e për më tepër ia dhashë levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, sipas çdo urdhërimi që më dhe. Nuk shkela e nuk harrova asnjë nga urdhërimet e tua. Nuk hëngra nga e dhjeta kur isha në zi, nuk e hoqa kur isha i papastër e as nuk ia dhashë të vdekurit. Ta dëgjova zërin, o Zot, Perëndia im, dhe bëra gjithçka që më urdhërove. Hidhi sytë prej banesës tënde të shenjtë, prej qiellit, dhe bekoje popullin tënd, Izraelin, e tokën që na dhe, siç u premtove etërve tanë, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë”. Në këtë ditë, Zoti, Perëndia yt, po të urdhëron që t'i mbash këto rregulla e vendime. Mbaji e zbatoji me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. Në këtë ditë ke shpallur se Zoti është Perëndia yt, se do të ecësh udhëve të tij, do të mbash rregullat, urdhërimet e vendimet e tij e do të dëgjosh zërin e tij. Edhe Zoti të ka shpallur sot popullin e tij të çmuar, siç të premtoi, se do t'i mbash urdhërimet e tij, se do të të lartësojë në lavdërime, në emër e në nder mbi çdo komb që krijoi dhe se do të jesh një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, siç premtoi». Moisiu dhe pleqtë e Izraelit e urdhëruan popullin: «Mbaji të gjitha urdhërimet që të urdhërova sot. Ditën kur të kalosh përtej Jordanit, në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, vër dy gurë të mëdhenj e zbardhi me gëlqere. Shkruaj mbi to çdo fjalë të këtij ligji kur të kalosh përtej e të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç të premtoi Zoti, Perëndia i etërve të tu. Kur të kaloni përtej Jordanit, vërini këto gurë siç po ju urdhëroj sot, në malin Ebal dhe zbardhini me gëlqere. Atje ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd. Altari të jetë prej guri e të mos punohet me vegël hekuri. Gurët e altarit të Zotit, Perëndisë tënd, të jenë të palatuar. Kushto mbi to fli shkrumbimi për Zotin, Perëndinë tënd. Kushto edhe fli paqtimi, haji aty e festo para Zotit, Perëndisë tënd. Shkruaj mirë e qartë mbi gurë çdo fjalë të këtij ligji». Pastaj Moisiu e priftërinjtë levitë i thanë mbarë Izraelit: «Hesht e dëgjo, o Izrael. Sot u bëre populli i Zotit, Perëndisë tënd. Dëgjoje zërin e Zotit, Perëndisë tënd. Mbaji urdhërimet e rregullat e tij që unë po të urdhëroj sot». Atë ditë Moisiu e urdhëroi popullin e i tha: «Kur të kaloni përtej Jordanit, këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Gerizim për të bekuar popullin: Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi e Benjamini. Këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Ebal për të mallkuar: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani e Neftaliu. Levitët do t'u shpallin me zë të lart mbarë burrave të Izraelit: “Mallkuar qoftë ai që bën fshehurazi idhuj të gdhendur apo të metaltë. Kjo vepër e duarve të mjeshtrit i neveritet Zotit ”. Atëherë tërë populli të përgjigjet e të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që e përbuz të atin e të ëmën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që lëviz kufijtë e të afërtit”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që e çon të verbrin në rrugë të gabuar”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që shkel të drejtën e të ardhurit, të jetimit e të vesë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e të atit dhe kështu e turpëron të atin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me ndonjë kafshë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të motrën, nga i ati apo nga e ëma”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të vjehrrën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që godet fshehurazi të afërtin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që merr mitë, për të derdhur gjak të pafajshëm”. Tërë populli të thotë: “Amen!”. “Mallkuar qoftë ai që nuk i mban e nuk zbaton fjalët e këtij ligji”. Tërë populli të thotë: “Amen!”». «Nëse vërtet e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe i mban e i zbaton të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot, Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi çdo komb në tokë. Nëse e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, do të të mbulojnë e do të të përcjellin të gjitha këto bekime: i bekuar do të jesh në qytet e i bekuar në fushë. I bekuar do të jetë fryti i barkut tënd, i dheut e i kafshëve të tua, pjella e qeve dhe të vegjlit e dhenve. E bekuar do të jetë shporta dhe magjja jote. I bekuar do të jesh kur të mbërrish e i bekuar kur të nisesh. Zoti do t'i mundë armiqtë që ngrihen kundër teje. Nga një rrugë e vetme do të vijnë te ti, por nëpër shtatë rrugë do t'ia mbathin prej teje. Zoti do ta dërgojë bekimin e tij mbi drithnikët e tu dhe gjithë punët e tua. Ai do të të bekojë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. Zoti do të të bëjë popullin e tij të shenjtë, siç të premtoi, nëse i mban urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe ecën udhës së tij. Mbarë popujt e tokës do të shohin se thirresh me emrin e Zotit e do të të kenë frikë. Zoti do të ta shtojë mirë frytin e barkut, të kafshëve dhe të dheut, në tokën për të cilën Zoti iu betua etërve të tu se do të ta jepte ty. Zoti do të ta hapë visarin e tij të begatshëm, qiellin, për t'i dhënë shiun e duhur tokës tënde e për të bekuar çdo punë të duarve të tua. Do t'u japësh hua shumë kombeve, ndërsa vetë nuk do të marrësh hua. Zoti do të të vërë në krye e jo në fund, do të ngrihesh vetëm lart e nuk do të biesh poshtë, nëse i dëgjon urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, të cilat unë po të urdhëroj sot, që t'i mbash e t'i zbatosh. Mos u shmang as majtas, as djathtas nga të gjitha fjalët që të urdhërova sot e mos ndiq e mos u shërbe perëndive të tjerë. Nëse nuk e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe nuk i mban e nuk i zbaton të gjitha urdhërimet dhe rregullat e tij, të cilat unë po t'i urdhëroj sot, do të të mbulojnë e përcjellin të gjitha këto mallkime: i mallkuar do të jesh në qytet e i mallkuar në fushë. E mallkuar do të jetë shporta dhe magjja jote. I mallkuar do të jetë fryti i barkut tënd e i fushës, pjella e qeve dhe të vegjlit e dhenve të tu. I mallkuar do të jesh kur të mbërrish e i mallkuar kur të nisesh. Zoti do të lëshojë mbi ty e mbi çdo vepër të duarve të tua mallkim, çoroditje e mbrapshti. Kështu do të shkatërrohesh e zhbihesh me të shpejtë, për shkak të ligësisë që bëre kur më harrove. Zoti do të bëjë që murtaja të të qepet derisa të zhdukesh nga vendi në të cilin po hyn për ta pushtuar. Zoti do të të godasë me shfarosje, ethe e mahisje, me nxehtësi e thatësirë, me urth e vrug derisa të zhbihesh. Qielli mbi kokë do të të bëhet bronz e toka nën këmbë, hekur. Zoti do të ta kthejë shiun që bie mbi tokë në pluhur e hi. Do të bjerë prej qiellit derisa të shkatërrohesh. Zoti do të të dorëzojë para armiqve. Nga një rrugë e vetme do të dalësh kundër tyre, por nëpër shtatë rrugë do t'ua mbathësh prej tyre. Tërë mbretëritë e tokës do të llahtarisen kur të shohin çfarë të ka ndodhur. Kufoma jote do të jetë ushqim për shpendët e qiellit dhe egërsirat e tokës e askush s'do të mbesë që t'i dëbojë. Zoti do të të godasë me çibanët e Egjiptit, me lyth, zgjebe, e puçrra, që nuk kanë shërim. Zoti do të të godasë me marrëzi, verbëri e çoroditje. Do të endesh kuturu në mes të ditës, siç endet i verbri në errësirë dhe nuk do gjesh mbarësi udhës tënde. Do të shfrytëzohesh e zhvatesh përherë, gjatë gjithë jetës e s'do të ketë kush të të shpëtojë. Grua do të marrësh, por me të një burrë tjetër do të flejë. Shtëpi do të ndërtosh, por në të nuk do të banosh. Vreshta do të mbjellësh, por nuk do t'i vjelësh dot. Kau do të të theret para syve, por prej tij nuk do të hash gjë. Gomari do të të vidhet para teje, por nuk do të të kthehet. Delja do t'i jepet armikut, por s'do të ketë kush të të shpëtojë. Bijtë e bijat do të shohësh tek i jepen një populli tjetër. Do të të marrë malli për ta tërë jetën, por s'do të kesh ç'të bësh. Frytin e tokës e të punës do të ta hajë një popull që nuk e njeh. Do të shfrytëzohesh e shtypesh përherë, gjatë gjithë jetës. Do të luash mendsh prej mjerimit që do të të shohin sytë. Zoti do të të godasë në gjunjë e në këmbë me çibanë të ligj që nuk kanë shërim. Ato do të përhapen prej shputës së këmbës deri në majë të kokës. Zoti do të të çojë ty dhe mbretin që ke vënë në krye, te një komb që nuk njihet prej teje dhe etërve të tu. Atje do t'u shërbesh perëndive të tjerë prej druri e guri. Do të bëhesh mynxyrë, përrallë e tallje për të gjithë popujt mes të cilëve Zoti do të të zbojë. Do të mbjellësh shumë, por pak do të mbledhësh, sepse do t'i përpijë karkaleci. Do të mbjellësh e do të punosh vreshta, por verë nuk do të pish dhe asgjë nuk do të vjelësh, sepse do t'i hajë krimbi. Do të kesh ullinj anekënd, por nuk do të lyhesh me vaj, sepse kokrrat e ullirit do të bien të papjekura. Do të të lindin bij e bija, por nuk do t'i gëzosh, sepse do të të merren rob. Karkalecat do të t'i mbulojnë tërë pemët e frytet e tokës. I ardhuri mes teje do të lartësohet lart e më lart, ndërsa ti do të biesh poshtë e më poshtë. Ai do të të japë hua, ndërsa ti s'do t'i japësh dot. Ai do të jetë në krye e ti në fund. Të gjitha këto mallkime do të të mbulojnë, do të të ndjekin pas e do të të zënë derisa të marrësh fund, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, e nuk i mbajte urdhërimet e rregullat e tij që të urdhërova. Këto mallkime do të jenë për ty e për pasardhësit e tu një shenjë e përhershme emnese. Nuk i shërbeve Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim e me zemër të çiltër në të gjitha begatitë, prandaj do t'i shërbesh armikut që do të dërgojë Zoti kundër teje, në uri, në etje, në lakuriqësi e në çdo lloj nevoje. Ai do të të vërë në qafë një zgjedhë të hekurt derisa të të shkatërrojë. Zoti do të ngrejë kundër teje një komb të largët, nga skajet e tokës, që sulet porsi shqiponjë, një komb, gjuhën e të cilit nuk e ke dëgjuar, një komb fytyrëvrazhdë, që s'nderon plak e s'mëshiron të ri. Ai do ta hajë frytin e kafshëve e të tokës sate derisa të shkatërrohesh. Nuk do të të lërë as drithë, as verë, as vaj, as viç e as qengj derisa të të zhbijë. Do të t'i rrethojë të gjitha qytetet derisa të bien anekënd vendit muret e larta e të fortifikuara, në të cilat ke besim. Do të të rrethojë çdo qytet në tokën që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. Gjatë rrethimit e mjerimit, me të cilin do të të mbërthejë armiku, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe bijave, që të ka dhënë Zoti, Perëndia yt. Edhe burri më i butë, më i sjellshmi mes teje, do ta shohë me smirë të vëllanë, të shoqen e dashur e fëmijët që i kanë mbetur. Ai nuk do t'i japë askujt prej mishit të bijve që po ha, sepse nuk do t'i mbesë gjë, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilën armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua. Edhe gruaja më e butë, më e sjellshmja mes teje, që nuk prek as tokën me këmbë, do ta shohë me smirë të shoqin e dashur, bijtë e bijat, mbetjet e lindjes dhe fëmijët që lindi. Ajo do t'i hajë ato fshehurazi, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilin armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua. Nëse nuk i mban e nuk i zbaton të gjitha fjalët e këtij ligji të shkruar në këtë libër, nëse nuk i druhesh këtij emri të lavdishëm e të madhërishëm, Zotit, Perëndisë tënd, atëherë Zoti do të godasë ty dhe pasardhësit e tu me plagë të papara, plagë të tmerrshme e të përhershme, me sëmundje të liga e të pashërueshme. Do të lëshojë mbi ty çdo lëngatë të Egjiptit, që kishe frikë, dhe ato do të të qepen. Madje, Zoti, Perëndia yt, do të lëshojë mbi ty çdo sëmundje e plagë, që nuk janë shkruar në librin e këtij ligji, derisa të shkatërrohesh. Do të mbetesh me pak njerëz, edhe pse ishe i shumtë si yjet e qiellit, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd. Sikurse Zoti gëzohej me ty, kur të bekonte me mirësi e begati, ashtu do të gëzohet Zoti, kur të të zhbijë e të të shkatërrojë. Do të çrrënjosesh nga toka ku po hyn për ta pushtuar. Zoti do të të shpërndajë nëpër popuj, anekënd tokës. Atje do t'u shërbesh perëndive të tjerë, që nuk njihen prej teje dhe etërve të tu, perëndi prej druri e guri. Kur të jesh mes këtyre kombeve, nuk do të gjesh çlodhje, as pushim për këmbët e tua. Zoti do të të japë atje një zemër të mpakur, sy të trishtë e shpirt të brengosur. Jeta do të të varet në fije. Do të trembesh natë e ditë e jetën nuk do ta kesh të sigurt. Në mëngjes do të thuash: “Ah, sikur të ishte mbrëmje!” e në mbrëmje: “Ah, sikur të ishte mëngjes!”, për shkak të tmerrit që të ndien zemra e të llahtarisë që të shohin sytë. Zoti do të bëjë të kthehesh me anije në Egjipt, udhës për të cilën të thashë: “Kurrë nuk do ta shohësh më!”. Atje do ta shisni veten si skllevër e skllave për armiqtë, por askush s'do t'ju blejë». Këto janë fjalët e besëlidhjes që i urdhëroi Zoti Moisiut të lidhte me izraelitët, kur ishin në tokën e Moabit, përveç besëlidhjes që lidhi me ta në Horeb. Moisiu thirri tërë Izraelin e u tha: «Ju vetë patë gjithçka bëri Zoti në tokën e Egjiptit, çfarë i bëri faraonit e tërë shërbëtorëve të tokës së tij, sprovat e mëdha, shenjat e mrekullitë e mëdha. Por, deri më sot, Zoti nuk ju dha mendje për të kuptuar, sy për të parë e veshë për të dëgjuar. Ju priva nëpër shkretëtirë për dyzet vjet e as nuk ju shqyen rrobat në trup e as sandalet në këmbë nuk ju këputën. Bukë nuk hëngrët e as verë e pije të forta nuk pitë, që ta dini se unë, Zoti, jam Perëndia juaj. Kur mbërritëm në këtë vend, na doli për luftë Sihoni, mbreti i Heshbonit dhe Ogu, mbreti i Bashanit, por ne u ramë, ua morëm tokat e ua dhamë për trashëgimi Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut. Mbajini e zbatojini fjalët e kësaj besëlidhjeje, që t'ju shkojë mbarë gjithçka që bëni. Ju të gjithë po qëndroni sot para Zotit, Perëndisë tuaj, të gjithë krerët, fiset, pleqtë, prijësit e burrat e Izraelit, bashkë me të vegjlit, gratë dhe të ardhurit që janë në fushimin tuaj, nga ata që ju presin dru deri tek ata që ju nxjerrin ujë, për të pranuar besëlidhjen e përbetimin e Zotit, Perëndisë tënd, që sot po lidh me ju Zoti, Perëndia juaj. Ai do t'ju bëjë sot popullin e tij e do të jetë Perëndia juaj, siç ju tha e siç iu betua etërve tuaj, Abrahamit, Isakut e Jakobit. Unë nuk po e bëj këtë besëlidhje e këtë përbetim vetëm me ju, por edhe me të gjithë ata që janë këtu duke qëndruar sot me ne para Zotit, Perëndisë tonë, dhe me ata që nuk janë sot këtu me ne. Ju e dini si kemi jetuar në tokën e Egjiptit e si kemi kaluar përmes kombeve që përshkuam. I patë poshtërsitë e tyre, idhujt e tyre prej druri, guri, argjendi e ari. Nëse gjendet sot mes jush ndonjë burrë, grua, klan ose fis që po i kthen shpinën Zotit, Perëndisë tuaj, për të ndjekur e për t'u shërbyer perëndive të këtyre kombeve, nëse gjendet, pra, mes jush ndonjë rrënjë që prodhon helm e pelin, që, pasi i ka dëgjuar fjalët e këtij përbetimi, e bekon veten e thotë: “Nuk do të më gjejë gjë edhe nëse ndjek me ngulm mendjen time”, edhe nëse do të digjet i njomi me të thatin, Zoti nuk do të dojë ta falë. Madje, zemërimi e xhelozia e Zotit do të ndizet kundër tij dhe tërë mallkimet e shkruara në këtë libër do të bien mbi të. Zoti do t'ia shuajë emrin nën qiell. Zoti do ta ndajë mënjanë nga tërë fiset e Izraelit, që ta dënojë sipas mallkimeve të besëlidhjes të shkruara në këtë libër të ligjit. Atëherë breznia e ardhshme, fëmijët pas jush dhe i huaji nga vendet e largëta, do të shohin plagët e kësaj toke dhe sëmundjet që dërgoi Zoti. Tërë toka do të digjet nga sulfuri e kripa. Nuk do të mbillet, nuk do të korret e bari nuk do të mbijë. Do të ndëshkohet si Sodoma, Gomorra, Adma e Ceboimi, që i përmbysi Zoti në zemërimin e tërbimin e tij. Atëherë tërë kombet do të pyesin: “Përse veproi kështu Zoti me këtë vend? Përse u ndez një zemërim kaq i madh?”. Pastaj do të thonë: “Për shkak se braktisën besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së etërve, që ai lidhi me ta kur i nxori nga toka e Egjiptit. U shërbyen perëndive të tjerë e i adhuruan, perëndi që nuk i njihnin e që nuk ua kishte caktuar Zoti. Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër këtij vendi e u solli të gjitha mallkimet e shkruara në këtë libër. Zoti, në zemërimin e tërbimin e tij të madh, i shpërnguli prej vendit të tyre e i hodhi tej në një vend tjetër, siç po ndodh edhe sot”. Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, ndërsa ato të zbuluarat na përkasin përherë neve dhe fëmijëve tanë, që të zbatojmë të gjitha fjalët e këtij ligji». «Kur të bien mbi ty të gjitha këto bekime e mallkime, që po t'i parashtroj, kur të jesh mes kombeve, ku Zoti, Perëndia yt, do të të degdisë, dhe të bie në mend për to e kthehesh drejt Zotit, Perëndisë tënd, ti e fëmijët e tu, e dëgjon zërin e tij me gjithë zemër e shpirt në çdo gjë që unë po të urdhëroj sot, atëherë Zoti, Perëndia yt, do të ta ndryshojë fatin e do të ketë mëshirë për ty. Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë nga të gjithë popujt mes të cilëve të shpërndau. Edhe po të jesh degdisur në fund të botës, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë e do të të marrë prej andej. Zoti, Perëndia yt, do të të çojë te vendi që etërit e tu zotëronin e ti do ta pushtosh. Do të të bekojë me mirësi e begati më shumë se etërit e tu. Zoti, Perëndia yt, do të ta rrethpresë zemrën ty e pasardhësve të tu, që ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt dhe kështu do të jetosh. Atëherë Zoti, Perëndia yt, do t'i hedhë këto mallkime mbi armiqtë e mbi kundërshtarët që të përndjekin. Ti do të kthehesh e do ta dëgjosh zërin e Zotit. Do t'i zbatosh të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot. Zoti, Perëndia yt, do ta begatojë çdo punë tënden, frytin e barkut, të kafshëve e të dheut, sepse Zoti do të ngazëllehet sërish me ty, siç ngazëllehej me etërit e tu, ngaqë e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, i mbajte urdhërimet dhe rregullat e tij, të shkruara në këtë libër të ligjit, e u ktheve me gjithë zemër e shpirt drejt Zotit, Perëndisë tënd. Ky urdhër që po të jap sot nuk është as i pakuptueshëm e as i pakapshëm. Nuk është në qiell, që të thuhet: “Kush do të ngjitet në qiell, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. Nuk është përtej detit, që të thuhet: “Kush do të shkojë përtej detit, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. Ja, fjala është fare pranë teje. Është në gojën tënde e në zemrën tënde, që ta zbatosh. Shiko, sot po të parashtroj jetën e të mirën, vdekjen e të keqen. Nëse u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tënd, të cilat t'i urdhërova sot, që ta duash Zotin, Perëndinë tënd, ta ndjekësh udhën e tij e t'i mbash urdhërimet, rregullat dhe vendimet e tij, atëherë do të rrosh dhe Zoti, Perëndia yt, do të të shtojë e do të të bekojë në tokën ku po hyn për ta pushtuar. Nëse nuk bindesh e nuk dëgjon, joshesh, adhuron perëndi të tjerë e u shërben atyre, atëherë sot po të shpall se do të marrësh fund krejt. Nuk do të jetosh gjatë në tokën që po hyn për të pushtuar përtej Jordanit. Qielli e toka qofshin sot dëshmitarë se po ju parashtroj jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin. Zgjidh, pra, jetën, që të jetosh ti e pasardhësit e tu. Duaje Zotin, Perëndinë tënd, dëgjoje zërin e tij e mbahu fort pas tij, sepse ai është jeta dhe mbushullia e ditëve të tua. Kështu do të banosh në vendin, për të cilin Zoti iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit, se do të ta jepte ty». Pastaj Moisiu i tha mbarë Izraelit këto fjalë: «Tashmë jam njëqind e njëzet vjeç e nuk udhëtoj dot. Edhe Zoti më tha se nuk do ta kaloj Jordanin. Por, vetë Zoti, Perëndia yt, do të kalojë para jush. Ai vetë do t'i shkatërrojë këto kombe para jush, që t'i pushtoni. Do t'ju prijë Jozuehu, sikurse tha Zoti. Zoti do të sillet me këto kombe siç u soll me Sihonin e Ogun, mbretër të amoritëve, e me vendet e tyre. Ai i zhbiu ata. Kur Zoti t'jua dorëzojë, veproni me ta siç ju urdhërova. Tregohuni trima e të guximshëm, mos kini frikë e mos u dridhni para tyre, sepse vetë Zoti, Perëndia juaj, do të ecë me ju. Ai nuk do t'ju lërë e as nuk do t'ju braktisë». Atëherë Moisiu thirri Jozuehun e i tha në sy të gjithë Izraelit: «Bëhu trim e guximtar, sepse ti do ta çosh këtë popull në tokën, për të cilën Zoti iu betua etërve të tyre se do t'ua jepte. Ti do t'ua japësh si trashëgimi. Zoti vetë do të ecë me ty e do të jetë me ty. Ai nuk do të të lërë e as nuk do të të braktisë, prandaj mos ki frikë e mos u tremb». Moisiu e shkroi këtë ligj e ua dha priftërinjve, bijve të Levit, që mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit, dhe tërë pleqve të Izraelit. Pastaj Moisiu i urdhëroi: «Në fund të çdo viti të shtatë, në vitin e shlyerjes së huave, gjatë festës së Kasolleve, kur mbarë Izraeli të paraqitet para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë, lexoje këtë ligj para tërë Izraelit, që ta dëgjojnë. Mblidhe popullin bashkë me burra, gra, fëmijë e banorë të ardhur, që ta dëgjojnë e të mësojnë ta druajnë Zotin, Perëndinë e tyre, e t'i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji. Edhe fëmijët e tyre, që nuk e njohin, do ta dëgjojnë e do të mësojnë ta druajnë Zotin, Perëndinë tuaj, gjatë gjithë jetës, në vendin ku po shkon për ta pushtuar, përtej Jordanit». Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ja, erdhi dita që do të vdesësh. Thirre Jozuehun e qëndroni në tendën e takimit, që t'i jap detyrën». Moisiu e Jozuehu shkuan e qëndruan në tendën e takimit. Zoti u shfaq në tendë, në shtyllën e resë, e cila qëndroi në hyrje të tendës. Zoti i tha Moisiut: «Ja, ti do të dergjesh me etërit e tu. Ky popull do të ngrihet e do të kurvërojë me perënditë e huaja të vendit, mes të cilit po hyn. Do ta braktisë e do ta thyejë besëlidhjen time që lidha me të. Atë ditë, zemërimi im do të ndizet kundër tyre. Do t'i braktis e do ta fsheh fytyrën time prej tyre. Atëherë do të bëhen si haja që përpihet. Fatkeqësi të shumta e angështi do t'i pllakosin dhe atë ditë do të thonë: “Këto fatkeqësi na ranë, se Perëndia nuk është mes nesh!”. Por, unë do ta fsheh fare fytyrën time atë ditë, për shkak të të gjitha ligësive që bënë, kur u kthyen drejt perëndive të tjerë. Prandaj shkruani për vete këtë këngë e mësojuani përmendësh bijve të Izraelit, që kjo këngë të më shërbejë si dëshmi kundër tyre. Do t'i sjell në vendin ku rrjedh qumësht e mjaltë, për të cilin iu betova etërve të tyre, dhe si të hanë, të ngopen e shëndoshen, do të kthehen drejt perëndive të tjerë e do t'u shërbejnë atyre. Kështu, do të më përbuzin e do ta thyejnë besëlidhjen time. Kur t'i kenë pllakosur fatkeqësi të shumta e angështi, kjo këngë, që nuk do të zhduket nga buzët e pasardhësve, do të dëshmojë para tyre, sepse unë i di që sot shestimet e tyre, përpara se t'i çoj në tokën për të cilën u betova». Kështu, Moisiu e shkroi këtë këngë atë ditë e ua mësoi izraelitëve. Atëherë Zoti e urdhëroi Jozuehun, birin e Nunit e i tha: «Bëhu trim e guximtar, se ti do t'i çosh izraelitët në tokën që u kam premtuar. Unë do të jem me ty». Si përfundoi së shkruari në libër fjalët e këtij ligji, nga fillimi deri në fund, Moisiu i urdhëroi levitët, që mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit: «Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në kahun e arkës së besëlidhjes së Zotit, Perëndisë tuaj, që të qëndrojë aty si dëshmi kundër jush. Unë vetë e di sa popull rebel dhe kokëfortë je. Ja, nëse ngre krye kundër Zotit tani që jam gjallë me ty, aq më tepër do të bësh kështu kur të kem vdekur. Mblidhini të gjithë pleqtë e fiseve dhe krerët, që të dëgjojnë këto fjalë dhe që t'u thërras qiellin e tokën si dëshmitar, sepse e di që, kur të kem vdekur, do të shthureni krejt dhe do t'ia ktheni shpinën udhës që ju urdhërova. Në të ardhmen do t'ju gjejë e keqja, sepse do të bëni ligësi para Zotit, kur ta ngucni me veprat e duarve tuaja». Atëherë Moisiu këndoi këtë këngë nga fillimi deri në fund që mbarë bashkësia e Izraelit ta dëgjonte: «Mba vesh, o qiell, se do të flas, dëgjoji, o tokë, fjalët e gojës sime. U derdhtë mësimi im si shiu, pikoftë kumti im si vesa, si pikëlimi mbi bar, si rrebeshi mbi livadh. Emrin e Zotit do ta shpall. Madhërojeni Perëndinë tonë! Shkëmb ai, të përsosura veprat e tij, të drejta të gjitha udhët e tij. Perëndi besnik, në të nuk ka padrejtësi. I drejtë e i vërtetë është ai. Kjo brezni e shthurur dhe e mbrapshtë mëkatoi kundër tij e për faj të vet bij të tij nuk janë. A kështu ia shpërblen Zotit, o popull i marrë e i pamend? A s'është ati yt, që të krijoi, ai që të bëri e të themeloi? Kujto kohët e moçme, shqyrto vitet e breznive të hershme, pyet tët atë e ai do të të tregojë, pyet pleqtë e ata do të të rrëfejnë. Kur i Tejlarti u dha kombeve trashëgimi, kur njerëzimin ai e ndau, kufijtë e popujve i caktoi, sipas numrit të bijve të Izraelit. Pjesë e Zotit është populli i tij, Jakobi, trashëgimia e tij. E gjeti në një vend të shkretë, në një djerrinë ku humbëtira jehon. E përqafoi e për të u kujdes, e ruajti si beben e syrit. Porsi shqiponja që folenë vrojton, e mbi zogjtë e saj flatron. Zoti krahët i shtriu, e kapi, e mbi vete e mbarti. I vetëm Zoti e udhëhoqi, asnjë perëndi i huaj nuk ishte me të. E vuri të kalërojë mbi bjeshkët e dheut e prodhime fushe ai hëngri. E mëkoji me mjaltë prej shkëmbi, me vaj prej shkrepit të strallit, me gjalpë gjedhi e qumësht dhensh, me dhjamë qengjash e deshësh, me qe Bashani e cjep, bashkë me drithë të përzgjedhur. Gjak rrushi, ti porsi verë pive. Por Jeshuruni u majm e hodhi vickla, u majm, u dend e u trash, harroi Perëndinë që e krijoi, përçmoi shkëmbin që e shpëtoi. E bënë xheloz, me hyjni të huaja, me poshtërsi e ngucën. U kushtuan fli djajve e jo Perëndisë, perëndive që s'i njihnin, perëndive të sapoardhur, që as etërit tuaj nuk i kishin frikë. Shkëmbin që të lindi e harrove, e le mënjanë Perëndinë që të dha jetë. Zoti e pa dhe i përbuzi, se e ngucën bijtë e bijat e veta. “Do ta fsheh fytyrën”, tha, “Do të shoh ç'fund do të kenë, se janë brezni e mbrapshtë, fëmijë të pabesë. Me perëndi të paqena më bënë xheloz, me kotësi më ngucën. Ndaj dhe unë, xhelozë do t'i bëj, me një popull të paqenë, e me një komb të pamend do t'i nguc. Se flakë m'u ndez zemërimi, flakë që djeg skëterrën thellë, që përzhit tokë e fryt, që me themel malet i shkrumbon. Me ligësi do t'i kaploj, shigjetat mbi ta do t'i shteroj. Do të veniten nga uria, do të sharrojnë nga murtaja e nga i hidhuri shfarim. Do të çoj bisha për t'i shqyer me dhëmbë, bashkë me helmin e zvarritësit të pluhurit. Do t'i grijë përjashta shpata e brenda lemeria, të riun, edhe vashën, foshnjën bashkë me burrin plak. Copë-copë, thashë t'i bëja, fshirë nga kujtesa e njerëzve, por druaj se armiqtë do të mburreshin, do të gënjeheshin kundërshtarët e do të thoshin: ‘Dora jonë, ajo ngadhënjeu, të gjitha këto nuk i bëri Zoti ’”. Popuj ku arsyeja ka marrë fund, ku gjykimi s'ka më vend. Në ishin të urtë, do ta kuptonin, do ta merrnin vesh fundin që i pret. Si mundet njëri të ndjekë një mijë e dy të zmbrapsin mijëra, po mos qe Shkëmbi që i shiti, Zoti që i dorëzoi? Se shkëmbi i tyre s'është si i yni, kështu mendojnë edhe armiqtë tanë. Hardhia e tyre, hardhi Sodome, prej vreshtave të Gomorrës. Rrushi i tyre, rrush helmi, vilet të hidhura i kanë. Vera e tyre, vrer gjarpërinjsh, helm i tmerrshëm shlligash. A nuk i kam ruajtur këto pranë vetes, a nuk i kam kyçur në visaret e mia? Derisa të vijë dita e hakmarrjes dhe e shpagimit, derisa këmba t'u rrëshqasë, se afër është dita e shkatërrimit, fati i tyre shpejt nxiton. Zoti do të bëjë drejtësi për popullin e tij, do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e tij, kur të shohë se e lanë fuqitë e se s'ka më rob e të lirë. Veçse ai do të thotë: “Ku janë perënditë e tyre, shkëmbi ku kërkonin strehë, ata që hëngrën dhjamin e flijuar dhe pinë verën e blatuar? Të ngrihen, pra, e t'ju shpëtojnë, ata t'ju strehojnë”. Shikoni, pra, se unë e vetëm unë jam Perëndi, e krah meje s'ka tjetër. Unë vras e kthej në jetë, unë gjymtoj e shëroj. Prej meje s'ka kush të të shpëtojë. Dorën ngre drejt qiellit e betohem: “Pasha jetën time të amshuar, do ta mpreh shpatën që vezullon, do ta rrokë dora ime gjykimin, do t'u hakmerrem armiqve, e hasmit do t'ia shpërblej. Me gjak do t'i deh shigjetat e mia, me mish shpatën do ta ngop, me gjakun e të vrarëve e të robërve, me kokat e prijësve armiq”. Ngazëlloni, o kombe, me popullin e tij, se e shpagoi gjakun e shërbëtorëve të tij, kundërshtarëve ua shpërbleu, e shleu tokën e popullit të tij». Atëherë Moisiu shkoi bashkë me Hosenë, birin e Nunit dhe këndoi të gjithë këtë këngë, që populli ta dëgjonte. Kur e mbaroi këngën para gjithë Izraelit, Moisiu u tha: «Thadrojini në zemër të gjitha këto fjalë që unë po i dëshmoj sot kundër jush. Urdhërojini fëmijët, që t'i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji, sepse nuk janë të kota. Falë kësaj fjale do të jetoni e do të rroni gjatë në tokën që do të trashëgoni përtej Jordanit». Po atë ditë Zoti i tha Moisiut: «Ngjitu në malin Abarim, në malin Nebo që është në tokën e Moabit, përballë Jerikosë e shikoje tokën e Kanaanit që po u jap izraelitëve për ta pushtuar. Do të vdesësh në malin ku do të ngjitesh. Atje do të bashkohesh me të parët e tu, siç vdiq Aroni në malin Hor e u bashkua me të parët e vet. Ju u treguat të pabesë ndaj meje, në mes të izraelitëve, tek ujërat e Meribë Kadeshit, në shkretëtirën e Cinit, se nuk më shenjtëruat në mes të izraelitëve. Do ta shohësh tokën nga larg, por nuk do të hysh në të, në vendin që unë po u jap izraelitëve». Moisiu, njeriu i Perëndisë, i bekoi kështu izraelitët para se të vdiste: « Zoti erdhi prej Sinait, prej Seirit rrezatoi mbi ta, vezulloi prej malit Paran, bashkë me mijëra të shenjtë. Zjarr flakërues, lëshonte dora e tij e djathtë. Ti që popujt i do, në dorë i ke gjithë të shenjtët. Nën këmbët e tua, ata përulen, e fjalën tënde zbatojnë, ligjin, që na dha Moisiu, si trashëgimi për bashkësinë e Jakobit. Mbret i Jeshurunit u bë Zoti, kur u mblodhën krerët e popullit, të gjitha fiset e Izraelit. Rroftë Rubeni e mos u shoftë, edhe pse i vogël në numër». Këtë i tha Judës: «Dëgjoje, o Zot, zërin e Judës, ktheje te populli i vet. Duart i pastë gati për luftë, prej kundërshtarëve shpëtoje». Levit i tha: «Tumimi e Urimi yt, qoftë me besëtarin. Atë e sprovove në Masë, në ujërat e Meribës me të u grinde. Për nënën e atin e vet tha: “Nuk i këqyr!”, vëllanë nuk e pranoi, bijtë e vet nuk i njohu, për të mbajtur fjalën tënde, besëlidhjen tënde për të ruajtur. Do t'ia mësojë Jakobit vendimet e tua, Izraelit, ligjin tënd. Temjan do të djegin para teje, fli shkrumbimi mbi altarin tënd. Bekoje, o Zot, fuqinë e tij, pranoji veprat e duarve të tij. Kundërshtarët e tij këputi në mes, mos ngritshin më krye armiqtë e tij». Benjaminit i tha: «I dashuri i Zotit jeton i sigurt pranë tij, gjithë ditën nën mbrojtjen e tij. Në kraharorin e Zotit banon ai». Jozefit i tha: «Toka e tij, bekim prej Zotit, prej stolive të vesës së qiellit, të ujërave që shtrihen nën dhe, prej dhuratave që prodhon dielli, që sjell çdo hënë e re, prej të përzgjedhurave të bjeshkëve të moçme, prej begatisë së kodrave të amshuara, prej të mirave e plotësisë së dheut, dhe përkrahjes së atij që në shkurre u duk. Ia mbulofshin kryet Jozefit, ballin e të shuguruarit mes vëllezërve. Madhështor si i parëlinduri i mëzatit, e me bri si ato të kaut, që me to shpon popujt e tokën anekënd. E tillë është moria e Efraimit e mijërat e Manaseut». Zabulonit i tha: «Gëzohu, o Zabulon, në rrugëtimet e tua e ti Isahar në tendat e tua. Do të thërrasin popujt në mal, për të kushtuar fli drejtësie. Do të gëzojnë pasuritë e detit e thesaret e fshehta të rërës». Gadit i tha: «Bekuar qofshin hapësirat e Gadit, si luan ai shtrihet e shqyen fund e krye. Zgjodhi për vete më të mirën, se kur krerët e popullit u mblodhën, hise prijësish ai mori. Drejtësinë e Zotit, ai zbatoi, vendimet e tij bashkë me Izraelin». Danit i tha: «Dani është pjellë luani që kërcen prej Bashanit». Neftaliut i tha: «Neftaliu u kënaq me hir, përplot me bekimet e Zotit. Zotëron perëndimin e jugun». Asherit i tha: «Qoftë Asheri ndër më të bekuarit e fëmijëve, i pëlqyeshëm ndër vëllezërit e tij. Këmbët i laftë me vaj. Shulat i pastë prej hekuri e bronzi e fuqia i qoftë përjetë». «Nuk ka si Perëndia, o Jeshurun. Kalëron qiej e re me madhështi, që në ndihmë të të vijë. Strehë është Perëndia i amshuar, përkrahje krahët e tij të përjetshëm. Armiqtë i zbon para teje, “Shkatërrojini”, ai urdhëron. Izraeli banon i sigurt, rrjedha e Jakobit e qetë, në tokën e drithit e të verës, ku vesa e qiellit rigon. Lum ti, o Izrael. Cilin popull shpëtoi Zoti si ti? Ai është mburoja që të mbron, shpata që lavdi të sjell. Armiqtë do të të lëpihen, e ti do t'i shtypësh me këmbë». Atëherë Moisiu u ngjit prej stepave të Moabit në malin Nebo, në majë të Pisgahut që është përballë Jerikosë. Zoti ia tregoi mbarë vendin, që nga Gileadi deri në Dan, tërë Neftaliun, tokën e Efraimit e të Manaseut, gjithë tokën e Judës deri në detin Mesdhe, Negevin e rrafshin e luginës së Jerikosë, qytetin e palmave deri në Coar. Atëherë Zoti i tha: «Kjo është toka për të cilën iu betova Abrahamit, Isakut e Jakobit kur u thashë: “Pasardhësve tuaj do t'ua jap”. Të lashë ta shohësh, por nuk do të shkosh atje». Moisiu, shërbëtori i Zotit, vdiq atje, në tokën e Moabit, siç tha Zoti. U varros në një luginë të Moabit, përballë Betpeorit. Edhe sot e kësaj dite askush nuk e di ku e ka varrin. Ai ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq, por as nuk e kishin lënë sytë e as nuk i ishte mpakur fuqia. Izraelitët e vajtuan Moisiun në stepat e Moabit për tridhjetë ditë. Pastaj ditët e zisë përfunduan. Jozuehu, biri i Nunit, ishte plot me shpirtin e urtisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të. Izraelitët e dëgjuan dhe bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Kurrë më nuk doli në Izrael ndonjë profet si Moisiu, me të cilin Zoti takohej ballë për ballë. Zoti e dërgoi atë të bënte shenja e mrekulli në tokën e Egjiptit, kundër faraonit, shërbëtorëve e tokës së tij e të tregonte vepra të fuqishme e të tmerrshme, të cilat Moisiu i bëri para mbarë Izraelit. Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, Zoti foli me Jozuehun, birin e Nunit dhe ndihmësin e Moisiut, e i tha: «Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Tani, ngrihu e kalo Jordanin bashkë me gjithë popullin për në tokën që po u jap bijve të Izraelit. Po ju jap çdo vend ku t'ju shkelë shputa e këmbës, ashtu siç i thashë Moisiut. Që nga shkretëtira e nga Libani e deri në lumin e madh Eufrat, gjithë toka e hititëve deri në detin e madh, ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. Askush nuk do të të bëjë ballë sa të jesh gjallë. Do të jem me ty ashtu siç isha edhe me Moisiun dhe nuk do të të lë e as nuk do të të braktis. Ji i fortë e ki guxim, sepse ti do t'ia japësh për trashëgim këtij populli këtë tokë, për të cilën iu betova etërve të tyre se do t'ua jap. Ti veç ji i fortë e ki shumë guxim, që të mbash ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im, e të bësh gjithçka sipas tij. Mos iu shmang as djathtas e as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Mos e hiq nga goja librin e këtij ligji. Përsiate ditë e natë, që ta mbash e të bësh gjithçka është shkruar në të. Vetëm atëherë do të kesh mbarësi e begati. A nuk të urdhërova të jesh i fortë e të kesh guxim? Mos ki, pra, frikë, sepse Zoti, Perëndia yt, do të jetë me ty kudo që të shkosh». Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e u tha: «Kaloni përmes fushimit e jepini popullit këtë urdhër: “Bëni gati ushqimet, sepse pas tri ditësh do të kaloni Jordanin, për të pushtuar tokën, që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep si trashëgimi”». Fisit të Rubenit e të Gadit, si edhe gjysmës së fisit të Manaseut, Jozuehu u tha kështu: «Kujtoni urdhrin që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, kur ju tha se Zoti, Perëndia juaj, ju dha prehje dhe se këtë tokë po jua jep ai. Gratë, fëmijët e bagëtitë tuaja të qëndrojnë në tokën që ju dha Moisiu këtej Jordanit, ndërsa trimat tuaj të kalojnë të armatosur në anën tjetër, përpara vëllezërve tuaj. Ndihmojini derisa Zoti t'u japë prehje edhe vëllezërve tuaj, që edhe ata, ashtu si ju, të pushtojnë tokën që po iu jep Zoti, Perëndia juaj. Vetëm atëherë mund të ktheheni për të trashëguar tokën që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, këtej Jordanit, nga lindja e diellit». Ata iu përgjigjën Jozuehut: «Do të bëjmë siç na urdhërove ti e do të shkojmë ku të na dërgosh ti. Ashtu siç kemi dëgjuar Moisiun për çdo gjë, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty, siç ishte edhe me Moisiun. Kush nuk ta dëgjon fjalën e nuk u bindet urdhrave të tu do të vritet. Ji i fortë, pra, e ki guxim». Jozuehu, biri i Nunit, dërgoi prej Shitimit dy burra për të përgjuar vendin në fshehtësi e u tha: «Shkoni e përgjojeni mirë vendin dhe qytetin e Jerikosë». Ata shkuan e bujtën në shtëpinë e një lavireje që quhej Rahabë. Mbreti i Jerikosë u njoftua se natën kishin ardhur disa izraelitë për të përgjuar vendin. Atëherë ai i çoi fjalë Rahabës: «Nxirri jashtë burrat që erdhën te ti e hynë në shtëpinë tënde, se kanë ardhur për të përgjuar vendin». Si i mori e i fshehu dy burrat, Rahaba u përgjigj: «Po, ata erdhën tek unë, por nuk e dija nga ishin. Kur po mbyllej porta e qytetit e u bë terr, ata dolën. Nuk e di nga shkuan, por ndiqini shpejt, se mund t'i kapni». Ndërkohë, ajo i kishte ngjitur në tarracë e i kishte fshehur mes kallamishteve të lirit që i kishte vënë stivë atje. Të dërguarit e mbretit u nisën për t'i ndjekur rrugës për te vau i Jordanit. Sapo dolën, porta e qytetit u mbyll. Rahaba u ngjit në tarracë te përgjuesit, para se t'i zinte gjumi, e u tha: «Unë e di se Zoti jua ka dhënë juve këtë vend. Na ka zënë tmerri prej jush dhe të gjithë banorët e këtij vendi dridhen nga frika prej jush. Kemi dëgjuar se Zoti thau detin e Kuq para jush, kur po dilnit nga toka e Egjiptit. Kemi dëgjuar edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amoritëve përtej Jordanit, Sihonit e Ogut, të cilët i shkatërruat fare. Kur i dëgjuam këto, na lëshoi zemra e mbetëm pa frymë për shkakun tuaj, sepse Zoti, Perëndia juaj, është me të vërtetë Perëndi atje lart në qiell dhe këtu poshtë mbi tokë. Prandaj, m'u betoni për Zotin, se do të tregoni mirësi ndaj shtëpisë së atit tim, ashtu si tregova edhe unë mirësi ndaj jush. Më jepni, pra, një shenjë të besueshme, se do ta lini gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit e motrat e mia, bashkë me gjithçka që u përket, dhe se do të na shpëtoni nga vdekja». Ata i thanë: «Të betohemi me jetë, veç mos na kallëzo. Kur të na e japë Zoti vendin, do të tregojmë mirësi e besnikëri ndaj teje». Rahaba jetonte ngjitur me muret e qytetit dhe shtëpia e saj ishte e ndërtuar te muret. Ajo i lëshoi me litarë nga dritarja e u tha: «Merrni rrugën drejt malit, që të mos ndesheni me ata që po ju ndjekin. Fshihuni atje për tri ditë, derisa të kthehen ndjekësit, e pastaj vazhdoni udhën». Përgjuesit i thanë: «Ne nuk do ta mbajmë betimin që na detyrove të bëjmë, nëse, kur të hyjmë në këtë vend, nuk do të kesh lidhur në dritaren nga po na zbret këtë gjalmë të kuqe. Atin tënd, nënën tënde, vëllezërit e tu e gjithçka që i përket shtëpisë së atit tënd mblidhi këtu në shtëpinë tënde. Nëse dikush del jashtë derës së shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi vetë kryet e tij e ne do të jemi të pafajshëm. Por nëse dikush vë dorë mbi ndonjë brenda shtëpisë sate, atëherë gjaku i tij do të bjerë mbi kryet tanë. Nëse i tregon ndokujt për punën tonë, nuk do ta mbajmë betimin që na detyrove të bëjmë». Ajo u tha: «U bëftë sipas fjalës suaj!». Pastaj i la të shkojnë dhe e lidhi gjalmën e kuqe në dritare. Përgjuesit shkuan në mal e qëndruan atje për tri ditë, derisa u kthyen ata që i ndiqnin. Ndjekësit i kërkuan gjatë gjithë udhës, por nuk i gjetën. Pastaj dy burrat zbritën nga mali, kaluan Jordanin e u kthyen te Jozuehu, biri i Nunit, të cilit i treguan gjithçka u kishte ndodhur. Ata i thanë Jozuehut: « Zoti na e dorëzoi mbarë vendin. Të gjithë banorët e atij vendi i ka pushtuar frika nga ne». Të nesërmen, Jozuehu u ngrit herët në mëngjes. Ai dhe të gjithë izraelitët lanë Shitimin e mbërritën në Jordan, ku fushuan derisa të kalonin lumin. Pas tri ditësh, eprorët kaluan përmes fushimit e i dhanë urdhër popullit: «Kur të shihni priftërinjtë e levitët të mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit, Perëndisë suaj, ngrihuni e shkoni pas saj. Rrini një kilometër larg arkës. Mos u afroni më shumë. Udhën nga duhet të shkoni do ta kuptoni prej arkës, pasi asaj udhe nuk keni kaluar më parë». Jozuehu i tha popullit: «Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti do të bëjë mrekulli mes jush». Priftërinjve Jozuehu u tha: «Ngrijeni arkën e besëlidhjes dhe kaloni para popullit». Ata e ngritën arkën e besëlidhjes dhe ecën përpara popullit. Zoti i tha Jozuehut: «Sot po filloj të të lartoj para syve të mbarë Izraelit, që ta dinë se unë jam me ty, ashtu siç isha edhe me Moisiun. Urdhëroi priftërinjtë, që mbartin arkën e besëlidhjes, që, kur të mbërrijnë tek ujërat e Jordanit, të hyjnë e të qëndrojnë brenda në lumë». Jozuehu u tha izraelitëve: «Afrohuni këtu e dëgjoni fjalët e Zotit, Perëndisë suaj». Dhe u tha: «Ja si do ta dini se Perëndia i gjallë është mes jush dhe se do të dëbojë para syve tuaj kananitët, hititët, hivitët, perizitët, girgashitët, amoritët dhe jebusitët: arka e besëlidhjes së Zotit të mbarë tokës do t'ju prijë përmes Jordanit. Zgjidhni, pra, dymbëdhjetë burra nga fiset e Izraelit, nga një për fis. Kur këmbët e priftërinjve, që mbartin arkën e Zotit, Zotit të mbarë tokës, të prekin ujërat e Jordanit, uji i lumit do të ndalet dhe rrjedha e ujit që zbret do të ngrihet lart si mur». Populli e la fushimin për të kaluar Jordanin. Përpara i prinin priftërinjtë që mbartnin arkën e besëlidhjes. Ishte koha e të korrave dhe Jordani ishte plot e përplot. Kur u afruan bartësit e arkës dhe priftërinjtë që mbartnin arkën hynë në breg të lumit, ujërat u ndalën dhe rrjedha e sipërme e ujit u ngrit si mur, që prej qytetit të Adamit, pranë Cartanit, ndërsa rrjedha e poshtme u derdh në detin e Kripur. Kështu, populli e kaloi Jordanin përballë Jerikosë. Priftërinjtë, që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, qëndruan në tokë të thatë në mes të Jordanit, derisa i gjithë populli i Izraelit kaloi në bregun tjetër të lumit, nëpër shtratin e thatë. Kur i gjithë populli kishte kaluar Jordanin, Zoti i tha Jozuehut: «Zgjidh dymbëdhjetë burra nga populli, nga një për fis, e jepu këtë urdhër: merrni nga shtrati i Jordanit, nga vendi ku shkelën këmbët e priftërinjve, dymbëdhjetë gurë. Merrini me vete dhe lartojini në vendin ku do të fushoni sonte». Jozuehu thirri dymbëdhjetë burrat e zgjedhur nga radhët e izraelitëve, nga një për fis, e u tha: «Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë suaj, në mes të Jordanit, dhe merrni nga një gur, sipas numrit të fiseve të Izraelit, e ngrijeni mbi shpatulla. Këta gurë do të jenë shenjë për ju. Kur bijtë tuaj t'ju pyesin në të ardhmen: “Për ju, çfarë janë këta gurë?”, ju do t'u thoni se ujërat e Jordanit u ndanë më dysh para arkës së besëlidhjes së Zotit. Kur Arka kaloi përmes Jordanit, ujërat e tij u ndanë më dysh. Këta gurë janë përmendore e përjetshme për popullin e Izraelit». Izraelitët bënë siç i kishte urdhëruar Jozuehu e mblodhën dymbëdhjetë gurë nga shtrati i Jordanit, sipas numrit të fiseve të Izraelit, siç i kishte thënë Zoti Jozuehut. Gurët i morën me vete në vendin e fushimit e atje i lartuan. Jozuehu lartoi edhe dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, atje ku vunë këmbë priftërinjtë që mbartën arkën e besëlidhjes. Ata gurë janë atje gjer më sot. Priftërinjtë që mbartnin arkën qëndruan në mes të Jordanit derisa u krye gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Jozuehut t'i thoshte popullit. Jozuehu veproi ashtu siç e kishte urdhëruar Moisiu dhe populli kaloi shpejt Jordanin. Kur kishte kaluar i gjithë populli, kaloi edhe arka e Zotit. Priftërinjtë kaluan para popullit. Fisi i Rubenit, fisi i Gadit e gjysma e fisit të Manaseut kaluan të armatosur para izraelitëve, siç u kishte thënë Moisiu. Rreth dyzet mijë luftëtarë të armatosur kaluan para Zotit për luftë në fushat e Jerikosë. Atë ditë Zoti e lartoi Jozuehun në sytë e gjithë Izraelit. Izraelitët e nderuan Jozuehun ashtu siç kishin nderuar edhe Moisiun kur ishte gjallë. Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Urdhëroi priftërinjtë që mbartin arkën e dëshmisë, të dalin nga Jordani». Jozuehu u dha urdhër priftërinjve të dilnin nga Jordani. Kur priftërinjtë, që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe këmbët e tyre prekën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vend e rrodhën si më parë mes brigjeve të tij. Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe e ngriti fushimin në Gilgal, në lindje të Jerikosë. Dymbëdhjetë gurët që kishin marrë nga Jordani, Jozuehu i lartoi në Gilgal. Jozuehu u tha izraelitëve: «Kur në të ardhmen bijtë tuaj të pyesin etërit e tyre për këta gurë, do t'u tregoni si e kaloi Izraeli Jordanin nëpër tokë të thatë, se Zoti, Perëndia juaj, i thau ujërat para jush, derisa kaluat. Kështu kishte bërë Zoti, Perëndia juaj, edhe me detin e Kuq, që e thau derisa kaluam ne, me qëllim që ta dinë të gjithë popujt e tokës se dora e Zotit është e fuqishme dhe që ju ta druani gjithnjë Zotin, Perëndinë tuaj». Kur dëgjuan mbarë mbretërit e amoritëve, që jetonin në bregun perëndimor të Jordanit, bashkë me mbarë mbretërit e kananitëve, që jetonin pranë detit, se Zoti i kishte tharë ujërat e Jordanit, derisa kishin kaluar izraelitët, i lëshoi zemra e mbetën pa frymë nga frika e izraelitëve. Në atë kohë Zoti i tha Jozuehut: «Bëj thika prej gurit të strallit e fillo të rrethpresësh përsëri bijtë e Izraelit». Jozuehu bëri thika prej gurit të strallit e i rrethpreu bijtë e Izraelit në kodrinën e Haralotit. I rrethpreu, sepse të gjithë meshkujt e popullit që doli nga Egjipti, të gjithë luftëtarët, kishin vdekur gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë, pas daljes nga Egjipti. Ata kishin qenë të gjithë të rrethprerë, ndërsa djemtë, që kishin lindur gjatë udhëtimit në shkretëtirë pas daljes nga Egjipti, nuk ishin rrethprerë. Izraelitët kishin udhëtuar dyzet vjet nëpër shkretëtirë, derisa kishin vdekur të gjithë luftëtarët që kishin dalë nga Egjipti, për shkak se nuk i ishin bindur urdhrit të Zotit. Prandaj edhe Zoti u qe betuar se nuk kishin për ta parë tokën që u kishte premtuar etërve të tyre për ne, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. Në vendin e tyre ai vuri bijtë e tyre. Këta i rrethpreu Jozuehu, se ishin të parrethprerë, ngaqë nuk ishin rrethprerë gjatë udhës. Pasi u rrethpre i gjithë populli, izraelitët qëndruan në fushim derisa u shëruan. Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit». Ai vend quhet Gilgal deri në ditën e sotme. Izraelitët fushuan në Gilgal dhe atje, në fushat e Jerikosë, kremtuan Pashkën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në mbrëmje. Të nesërmen e Pashkës hëngrën nga prodhimet e vendit, bukë të ndorme e grurë të pjekur atë ditë. Po atë ditë, pasi hëngrën nga prodhimet e vendit, pushoi së rëni edhe mana. Izraelitët nuk e përdorën më manën për ushqim. Atë vit hëngrën nga prodhimet e tokës së Kanaanit. Një ditë, kur Jozuehu ndodhej pranë Jerikosë, ngriti sytë e pa para tij një njeri me shpatë në dorë. Jozuehu iu afrua dhe e pyeti: «Je me ne apo me armiqtë tanë?». Ai iu përgjigj: «Jo, unë jam prijësi i ushtrisë së Zotit dhe sapo mbërrita». Jozuehu ra përmbys para tij me nderim e i tha: «Cili është urdhri i timzoti për shërbëtorin e tij?». Prijësi i ushtrisë së Zotit i tha Jozuehut: «Zbathi sandalet, se vendi ku po qëndron është i shenjtë». Jozuehu bëri si i tha ai. Jerikoja ishte fortifikuar dhe i kishte mbyllur portat për shkak të izraelitëve. Askush nuk hynte e askush nuk dilte nga qyteti. Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Ja, Jerikonë po ta dorëzoj ty, me gjithë mbretin e luftëtarët e saj. Të gjithë ju do të marshoni përreth qytetit një herë në ditë. Kështu do të bëni për gjashtë ditë. Shtatë priftërinj do të shkojnë përpara arkës, duke mbajtur shtatë bori prej briri dashi. Ditën e shtatë do të marshoni shtatë herë rreth qytetit dhe priftërinjtë do t'u bien borive. Kur të tingëllojë briri i dashit, sapo të dëgjohet tingulli i borisë, i gjithë populli të lëshojë një britmë të madhe. Muret e qytetit do të shemben dhe populli do të vërsulet nga çdo anë drejt qytetit». Jozuehu, biri i Nunit, thirri priftërinjtë e u tha: «Ngrijeni arkën e besëlidhjes. Shtatë priftërinj të marrin shtatë bori prej briri dashi e të kalojnë para arkës së Zotit ». Popullit i tha: «Nisuni e marshoni përreth qytetit. Luftëtarët e armatosur të kalojnë para arkës së Zotit ». Pasi Jozuehu i kishte dhënë udhëzimet popullit, shtatë priftërinjtë me shtatë boritë prej briri dashi dolën përpara Zotit e filluan t'u binin borive. Nga pas i ndiqte arka e besëlidhjes së Zotit. Luftëtarët e armatosur ecnin përpara priftërinjve, që u binin borive, ndërsa praparoja vinte pas arkës. Teksa ecnin, jehonte tingulli i borive. Ndërsa popullit Jozuehu i dha këtë urdhër: «Mos bërtitni e mos t'ju dëgjohet zëri. Mos nxirrni asnjë fjalë nga goja, deri ditën që do t'ju them unë të bërtitni. Vetëm atëherë do të bërtitni». Kështu, arka e Zotit u soll një herë rreth qytetit. Pastaj izraelitët u kthyen në fushim për të kaluar natën. Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe priftërinjtë morën arkën e Zotit. Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri dashi, ecnin përpara arkës së Zotit e u binin borive. Luftëtarët e armatosur ecnin përpara tyre, ndërsa praparoja ecte pas arkës së Zotit. Gjatë marshimit, priftërinjtë u binin borive. Edhe ditën e dytë izraelitët marshuan një herë përreth qytetit dhe pastaj u kthyen në fushim. Kështu bënë për gjashtë ditë. Ditën e shtatë u ngritën herët në mëngjes dhe marshuan shtatë herë përreth qytetit në të njëjtën mënyrë. Vetëm atë ditë marshuan shtatë herë përreth qytetit. Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozuehu i tha popullit: «Lëshoni kushtrimin! Zoti jua ka dhënë juve qytetin. Qyteti e gjithçka brenda tij është e mallkuar e do të shfaroset për nder të Zotit. Vetëm lavirja Rahabë dhe të gjithë ata që do të gjenden me të në shtëpi do të mbeten gjallë, sepse ajo fshehu lajmëtarët që patëm dërguar. Por, ruhuni se mos merrni ndonjë nga sendet e mallkuara, se po t'i merrni, do ta sillni mallkimin e shfarosjes brenda fushimit të Izraelit e do t'ju zërë fatkeqësia. I gjithë argjendi, ari, sendet prej bronzi e prej hekuri do të shenjtërohen për Zotin e do të hyjnë në thesarin e Zotit ». Atëherë populli lëshoi kushtrimin dhe boritë jehuan. Kur u dëgjua tingulli i borisë, populli lëshoi një britmë aq të madhe, saqë muret e qytetit u shembën. Të gjithë u vërsulën nga çdo anë drejt qytetit dhe e pushtuan. Izraelitët shfarosën me shpatë gjithçka që gjendej në qytet, burra, gra, të rinj, pleq, qe, dele e gomarë. Jozuehu u tha dy burrave që ishin dërguar për të përgjuar vendin: «Shkoni te shtëpia e lavires e nxirreni prej atje, atë e gjithçka i përket asaj, ashtu siç iu betuat». Dy djaloshët, që ishin dërguar për të vëzhguar, shkuan dhe e nxorën Rahabën prej atje bashkë me të atin, të ëmën, vëllezërit e gjithçka i përkiste. I nxorën të gjithë të afërmit e saj dhe i vendosën jashtë fushimit të Izraelit. Qytetin e gjithçka brenda tij e dogjën në zjarr, ndërsa argjendin, arin, sendet prej bronzi e prej hekuri i vunë në thesarin e shtëpisë së Zotit. Jozuehu e la gjallë laviren Rahabë me gjithë shtëpinë e atit të saj dhe ajo jeton mes izraelitëve deri në ditët e sotme, për shkak se kishte fshehur dy burrat që ishin dërguar për të përgjuar Jerikonë. Atëherë Jozuehu shpalli këtë nëmë: «Mallkuar qoftë para Zotit kush ngrihet për ta rindërtuar këtë qytet, Jerikonë! Themelet i hedhtë mbi të parëlindurin, portat mbi djalin e vogël i lartoftë!». Zoti ishte me Jozuehun dhe emri i tij u bë i njohur në mbarë vendin. Izraelitët nuk e mbajtën besën për sendet e mallkuara. Akani, biri i Harmiut, të birit të Zabdiut, të birit të Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa nga sendet e mallkuara dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër izraelitëve. Jozuehu dërgoi disa burra nga Jerikoja për në Aj, që është afër Betavenit, në lindje të Betelit, e u tha: «Shkoni e përgjoni vendin». Ata shkuan dhe e përgjuan. Pastaj u kthyen e i thanë Jozuehut: «Nuk është nevoja të shkojë i gjithë populli. Le të shkojnë vetëm dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ajin. Mos e mundo gjithë popullin, se banorët e Ajit janë të paktë në numër». Kështu, u nisën rreth tre mijë burra nga radhët e popullit, por morën arratinë para burrave të Ajit. Burrat e Ajit vranë tridhjetë e gjashtë prej tyre. I ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim e i goditën përgjatë tatëpjetës. Popullin e lëshoi zemra nga frika e iu bë gjaku ujë. Atëherë Jozuehu shqeu rrobat e ra me fytyrë përdhe para arkës së Zotit deri në mbrëmje, bashkë me pleqtë e Izraelit. Të gjithë hodhën pluhur mbi kokë. Dhe Jozuehu tha: «Mjerë ne, o Zot, Zoti im! Përse e bëre këtë popull të kalojë Jordanin? Për të na lënë në duart e amoritëve, që të na shfarosin? Ah, sikur të kishim zënë vend e të kishim qëndruar përtej Jordanit! Të lutem, o Zot, por çfarë të them tani që Izraeli ka thyer qafën para armiqve të tij? Kananitët do të dëgjojnë për ne dhe mbarë banorët e këtij vendi do të na rrethojnë e do ta zhbijnë emrin tonë nga faqja e dheut. Çfarë do të bësh ti atëherë për nder të emrin tënd të madh?». Zoti i tha Jozuehut: «Ngrihu! Përse ke rënë me fytyrë përdhe? Izraeli ka mëkatuar e ka shkelur besëlidhjen që i kisha urdhëruar. Kanë marrë nga sendet e mallkuara, kanë vjedhur, kanë mashtruar e i kanë fshehur mes plaçkave të tyre. Izraelitët nuk do të mund t'u bëjnë ballë armiqve dhe kanë për të marrë arratinë para tyre, sepse ata vetë u bënë mallkim. Unë nuk do të jem më me ju, derisa të shfarosni mallkimin që është mes jush. E tani, ngrihu, shenjtëro popullin e thuaji: “Shenjtërohuni për nesër, se kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: mallkimi është në gjirin tënd, o Izrael. Nuk do t'i bësh dot ballë armikut, derisa të shfarosësh mallkimin që është në gjirin tënd. Nesër në mëngjes do të paraqiteni sipas fiseve. Fisi, që do të caktojë Zoti, të paraqitet sipas klaneve dhe klani, që do të caktojë Zoti, të paraqitet sipas shtëpive. Meshkujt e shtëpisë, që do të caktojë Zoti, të paraqiten një nga një. Ai që ka marrë nga sendet e mallkuara, do të digjet në zjarr, bashkë me gjithçka i përket, se ka shkelur besëlidhjen e Zotit dhe ka bërë një gjë të turpshme në Izrael”». Jozuehu u zgjua herët në mëngjes dhe i paraqiti izraelitët sipas fiseve. U përzgjodh fisi i Judës. Pastaj paraqiti fisin e Judës dhe u përzgjodh klani i zerahitëve. Nga klani i zerahitëve u përzgjodh shtëpia e Zabdiut. Kur u paraqitën burrat e shtëpisë së tij, u përzgjodh Akani, biri i Harmiut, të birit të Zabdiut, të birit të Zerahut, nga fisi i Judës. Atëherë Jozuehu i tha Akanit: «Biri im, jepi lavdi Zotit, Perëndisë së Izraelit, e rrëfehu para tij. Tregomë çfarë ke bërë e mos më fshih gjë». Akani iu përgjigj Jozuehut: «Është e vërtetë se jam unë që kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit. Ja çfarë kam bërë: mes presë së luftës pashë një gunë shumë të bukur Shinari, dy kilogramë argjend dhe një shufër ari që peshon gjysmë kilogram. Më pëlqyen shumë, prandaj i mora e i fsheha nën dhe, në mes të tendës. Argjendin e kam fshehur poshtë tyre». Jozuehu dërgoi disa njerëz të shkonin me nxitim te tenda e Akanit. Atje gjetën sendet e fshehura dhe argjendin, fshehur poshtë tyre. I nxorën nga tenda, për t'ia sjellë Jozuehut e gjithë popullit të Izraelit e i vunë para Zotit. Atëherë Jozuehu dhe i gjithë populli morën Akanin, birin e Zerahut, argjendin, gunën dhe shufrën e arit, bashkë me bijtë e bijat e tij, me qetë, gomarët e delet e tij, tendën e gjithçka i përkiste, e i çuan në luginën e Akorit. Jozuehu u tha: «Përse na e solle këtë fatkeqësi? E pra, sot, Zoti po ta sjell ty fatkeqësinë». Pastaj i gjithë Izraeli e vrau Akanin me gurë. Si i vranë të gjithë me gurë, i dogjën në zjarr. Mbi të hodhën një grumbull të madh gurësh, që është aty edhe sot e kësaj dite. Atëherë zemërimi i zjarrtë i Zotit u fashit, prandaj dhe ai vend quhet deri më sot lugina e Akorit. Zoti i tha Jozuehut: «Mos ki frikë e mos u tremb. Merr me vete të gjithë luftëtarët e shko të sulmosh Ajin. Ja, mbretin e Ajit po ta dorëzoj ty, me gjithë popullin, qytetin e tokën e tij. Vepro me Ajin e me mbretin e tij, siç veprove edhe me Jerikonë e me mbretin e saj, por prenë e luftës e bagëtitë merrini për vete. Ngrini pusi në anën e pasme qytetit». Atëherë Jozuehu e gjithë luftëtarët u bënë gati për të sulmuar Ajin. Jozuehu zgjodhi tridhjetë mijë burra të fortë dhe i nisi natën. U dha këtë urdhër: «Bëni kujdes e rrini në pusi në anën e pasme të qytetit, por mos u largoni shumë prej tij. Të jeni të gjithë gati. Ndërsa unë do t'i afrohem qytetit me të gjithë ata që do të jenë me mua. Kur të dalin banorët për të na sulmuar si herën e parë, ne do të marrim arratinë para tyre. Ata do të na ndjekin pas e kështu do të largohen nga qyteti, sepse do të mendojnë se po ia mbathim para tyre, ashtu si herën e parë. Atëherë ju do të dilni nga pusia e do të pushtoni qytetin. Qytetin do t'jua dorëzojë Zoti, Perëndia juaj. Kur ta pushtoni qytetin, do t'i vini flakën. Do të veproni sipas fjalës së Zotit. Ky është urdhri im». Jozuehu i nisi dhe ata shkuan e zunë pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të Ajit. Jozuehu e kaloi atë natë me popullin. Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe rreshtoi popullin. Ai dhe pleqtë e popullit dolën në krye. Të gjithë luftëtarët që ishin me Jozuehun iu afruan qytetit nga përpara dhe e ngritën fushimin në krahun verior të Ajit. Midis tyre e Ajit shtrihej një luginë. Pastaj Jozuehu zgjodhi rreth pesë mijë burra e i vuri në pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të qytetit. Populli e ngriti fushimin në veri të qytetit dhe prapavija shkonte deri në perëndim të tij. Jozuehu e kaloi natën në mes të luginës. Kur mbreti i Ajit pa izraelitët, u ngrit herët në mëngjes e doli me nxitim nga qyteti, bashkë me të gjithë burrat e qytetit, për të sulmuar Izraelin. Ata u vendosën përballë Arabahut, se mbreti nuk e dinte që i kishin ngritur pusi në anën e pasme të qytetit. Jozuehu dhe i gjithë Izraeli bënë sikur ishin mposhtur dhe morën arratinë në drejtim të shkretëtirës. Ishin thirrur të gjithë banorët e Ajit për t'i ndjekur nga pas. Kështu, ata ndoqën Jozuehun e u larguan nga qyteti. Në Aj e në Betel nuk mbeti njeri pa shkuar në ndjekje të izraelitëve. Teksa ndiqnin izraelitët, i lanë hapur portat e qytetit. Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Shtrije në drejtim të Ajit shtizën që ke në dorë, sepse po ta dorëzoj ty qytetin». Jozuehu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit. Me të shtrirë krahun Jozuehu, ata që kishin ngritur pusinë dolën shpejt nga vendi ku ishin, hynë në qytet, e pushtuan dhe i vunë flakën menjëherë. Kur burrat e qytetit të Ajit, që po ndiqnin izraelitët, kthyen kokën pas dhe panë tymin e qytetit të ngjitej në qiell, mbetën pa fuqi e nuk iknin dot as këtej, as andej. Atëherë izraelitët, që kishin marrë arratinë në drejtim të shkretëtirës, u kthyen për të sulmuar ata që po i ndiqnin. Kur Jozuehu e mbarë Izraeli panë se luftëtarët që kishin ngritur pusi e kishin marrë qytetin dhe se nga qyteti po dilte tym, u kthyen e sulmuan burrat e Ajit. Dolën edhe luftëtarët e tjerë nga qyteti për t'i sulmuar dhe banorët e Ajit u gjendën të rrethuar nga të dyja anët. Izraelitët i goditën derisa nuk mbeti më njeri gjallë. Nuk shpëtoi askush. Mbretin e Ajit e zunë të gjallë dhe ia sollën Jozuehut. Pasi izraelitët vranë e shfarosën me shpata të gjithë banorët e Ajit, që kishin dalë në shkretëtirë për t'i ndjekur nga pas, iu vërsulën qytetit dhe e sulmuan me shpata. Atë ditë u vranë të gjithë banorët e Ajit, dymbëdhjetë mijë burra e gra. Jozuehu nuk e uli krahun, që mbante shtizën, derisa u vranë të gjithë banorët e Ajit. Izraelitët morën për vete vetëm bagëtitë e plaçkën e qytetit, sipas urdhrit që i kishte dhënë Zoti Jozuehut. Atëherë Jozuehu e dogji Ajin dhe e ktheu përgjithnjë në gërmadhë, në një vend të shkretë, siç është edhe sot. Mbretin e Ajit e vari në një pemë dhe e la atje deri në mbrëmje. Kur po perëndonte dielli, Jozuehu dha urdhër ta zbrisnin kufomën prej pemës. Kufomën e hodhën në hyrje të portës së qytetit e mbi të lartuan një pirg të madh gurësh që gjendet aty edhe sot e kësaj dite. Jozuehu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal. Altari u lartua me gurë të palatuar e të papunuar me vegla hekuri, siç i kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, izraelitët dhe siç është shkruar në librin e ligjit të Moisiut. Mbi altar, izraelitët i kushtuan Zotit fli shkrumbimi e paqtimi. Atje Jozuehu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit të Moisiut në prani të izraelitëve. Të gjithë izraelitët bashkë me pleqtë, me krerët e me gjykatësit e tyre, si dhe të huajt që jetonin me ta, qëndronin nga ana e arkës, ndërsa nga ana tjetër qëndronin priftërinjtë levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit. Gjysma qëndronte përballë malit Gerizim, ndërsa gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu siç kishte urdhëruar më parë Moisiu, shërbëtori i Zotit, të bekohej populli i Izraelit. Pastaj Jozuehu lexoi gjithë fjalët e ligjit, bekimet e mallkimet e tij, ashtu siç ishin shkruar në librin e ligjit. Jozuehu nuk la pa lexuar asgjë nga ato që kishte urdhëruar Moisiu, para bashkësisë së Izraelit, grave, fëmijëve e të huajve që jetonin mes izraelitëve. Me të dëgjuar këto gjëra, të gjithë mbretërit që sundonin në perëndim të Jordanit, në malësi, në ultësirë e përgjatë mbarë bregut të detit të Madh deri në Liban, mbretërit e hititëve, amoritëve, kananitëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve, u mblodhën e bënë marrëveshje për të luftuar së bashku kundër Jozuehut e Izraelit. Banorët e Gibeonit dëgjuan çfarë i kishte bërë Jozuehu Jerikosë e Ajit. Ata vepruan me dinakëri e u bënë gati për udhë. Me vete morën edhe ushqime. Mbi gomarë ngarkuan thasë të vjetruar e kacekë të vjetër vere, të shqyer e të arnuar. U mbathën me sandale të vjetra e të grisura, u veshën po me rroba të vjetruara dhe për ushqim morën bukë të tharë e të thërrmuar. Ata shkuan te Jozuehu në fushimin e Gilgalit e i thanë atij dhe gjithë izraelitëve: «Ne vijmë nga një vend i largët e duam të bëjmë marrëveshje me ju». Izraelitët u thanë hivitëve: «Mos ndoshta banoni afër nesh? Si mund të bëjmë marrëveshje me ju atëherë?». Ata i thanë Jozuehut: «Jemi shërbëtorët e tu». Por Jozuehu i pyeti: «Kush jeni e nga vini?». Ata iu përgjigjën: «Shërbëtorët e tu vijnë nga një vend shumë i largët, se dëgjuam për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, për gjithçka bëri në Egjipt e për gjithçka u bëri dy mbretërve të amoritëve, që banonin përtej Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtarot. Pleqtë e gjithë banorët e vendit tonë na thanë të merrnim ushqime me vete për rrugë e të vinim t'ju takonim e t'ju thoshim se jemi shërbëtorët tuaj, si edhe të bënim marrëveshje me ju. Ja ku e keni bukën tonë! E morëm të ngrohtë nga shtëpia, kur u nisëm për të ardhur këtu, dhe tani është tharë e është bërë thërrime. Këta janë kacekët e verës. Ishin të rinj kur i mbushëm me verë dhe tani janë çarë. Ja edhe rrobat e këpucët tona! Janë ngrënë prej udhëtimit të gjatë». Burrat e Izraelit provuan disa nga ushqimet e tyre, por nuk u këshilluan me Zotin. Jozuehu bëri marrëveshje paqeje me ta e i siguroi se do t'i linte gjallë. Për këtë u betuan edhe prijësit e bashkësisë. Tri ditë pasi bënë marrëveshjen, izraelitët morën vesh se ishin fqinj me ata njerëz dhe se ata banonin aty rrotull. Izraelitët u nisën sërish për udhë dhe pas tri ditësh mbërritën në qytetet e atyre njerëzve. Qytetet e tyre ishin Gibeoni, Kefirahu, Beroti e Kirjat Jearimi. Izraelitët nuk i sulmuan, për shkak se prijësit e bashkësisë u ishin betuar në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit. E gjithë bashkësia shfrynte kundër prijësve. Atëherë prijësit i thanë bashkësisë: «U jemi betuar në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit, prandaj nuk mund t'i prekim. Do t'i lëmë të jetojnë, përndryshe, nëse thyejmë betimin që u kemi bërë, ka për të rënë mbi ne zemërimi i Zotit. Do t'i lëmë të jetojnë e do t'i bëjmë të presin dru e të mbushin ujë për ne». Prijësit ia parashtruan këto gjëra bashkësisë dhe ashtu u bë. Atëherë Jozuehu i thirri gibeonitët e u tha: «Përse na mashtruat duke na thënë se vini nga shumë larg, ndërkohë që banoni këtu rrotull nesh? Mallkuar qofshi, pra! Do të mbeteni gjithmonë skllevër. Do të prisni dru e do të mbushni ujë për shtëpinë e Perëndisë tim». Por ata i thanë Jozuehut: «Ne, shërbëtorët e tu, dëgjuam çfarë i kishte urdhëruar Zoti, Perëndia yt, Moisiut, shërbëtorit të tij, se do t'jua jepte juve tërë vendin dhe se do t'i shfaroste para jush të gjithë banorët e kësaj toke. Patëm shumë frikë nga ju për jetën tonë, prandaj edhe vepruam kështu. Tani, jemi në dorën tënde. Bëj me ne si të pëlqen e si të duket e drejtë». E ashtu bëri Jozuehu me ta. I shpëtoi nga duart e izraelitëve, që të mos i vrisnin. Atë ditë Jozuehu vendosi që ata të prisnin dru e të mbushnin ujë për bashkësinë e Izraelit dhe për altarin e Zotit, që Zoti do të zgjidhte, siç ndodh sot e kësaj dite. Adonicedeku, mbreti i Jerusalemit, mori vesh se Jozuehu kishte pushtuar e shkatërruar Ajin dhe se me qytetin e me mbretin e tij kishte vepruar si me Jerikonë e me mbretin e saj. Dëgjoi edhe se banorët e Gibeonit kishin bërë paqe me Izraelin dhe se banonin mes tyre, prandaj e zuri frika, sepse Gibeoni ishte qytet i madh, qytet mbretëror, më i madh se Aji, dhe burrat e tij ishin të fuqishëm. Atëherë Adonicedeku, mbreti i Jerusalemit, i dërgoi lajmëtarë Hohamit, mbretit të Hebronit, Piramit, mbretit të Jarmuthit, Jafiait, mbretit të Lakishit, e Debirit, mbretit të Eglonit, e u tha: «Ejani e më ndihmoni ta shpartallojmë Gibeonin, se ka bërë paqe me Jozuehun e me izraelitët». Pesë mbretërit e amoritëve, mbreti i Jerusalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit e mbreti i Eglonit, u mblodhën e shkuan për luftë me gjithë ushtritë e tyre. Fushuan përballë Gibeonit dhe e sulmuan. Burrat e Gibeonit i dërguan fjalë Jozuehut në fushimin e Gilgalit e i thanë: «Mos hiq dorë nga shërbëtorët e tu. Eja shpejt të na shpëtosh e të na ndihmosh, se kundër nesh janë bashkuar të gjithë mbretërit e amoritëve që banojnë në malësi». Atëherë Jozuehu u nis menjëherë nga Gilgali bashkë me gjithë luftëtarët e burrat e fuqishëm. Zoti i tha Jozuehut: «Mos ki frikë prej tyre, se t'i kam dorëzuar ty. Asnjë prej tyre nuk të bën dot ballë». Jozuehu marshoi tërë natën nga Gilgali e i sulmoi në befasi. Zoti i hutoi amoritët para Izraelit e bëri kërdi të madhe në Gibeon. Izraelitët i ndoqën rrugës që ngjitet në Bet Horon dhe i sulmuan deri në Azekah e Makeda. Teksa amoritët kishin marrë arratinë para Izraelit e po zbrisnin tatëpjetë për në Bet Horon, Zoti lëshoi mbi ta gurë të mëdhenj nga qielli, deri në Azekah. U vranë më shumë nga breshri i gurëve sesa nga shpata e izraelitëve. Ditën që Zoti i dorëzoi amoritët në duart e izraelitëve, Jozuehu iu drejtua Zotit në prani të gjithë izraelitëve: «Ndalu, o diell, mbi Gibeonin! Qëndro, o hënë, mbi luginën e Ajalonit! U ndal dielli, qëndroi hëna, derisa populli ndaj armiqve u hakmor». A nuk shkruhet në librin e të Drejtit: dielli u ndal në mes të qiellit e nuk u ngut të perëndonte pothuajse për tërë ditën? Kurrë nuk kishte pasur një ditë si ajo më parë e as nuk pati më. Zoti dëgjoi zërin e një njeriu, vetë Zoti luftoi për Izraelin. Pastaj Jozuehu u kthye në fushimin e Gilgalit bashkë me të gjithë izraelitët që ishin me të. Pesë mbretërit morën arratinë e u fshehën në një shpellë në Makeda. Jozuehut i thanë: «Pesë mbretërit janë fshehur në një shpellë në Makeda». Atëherë Jozuehu dha këtë urdhër: «Rrokullisni gurë të mëdhenj te gryka e shpellës e vini disa burra që t'i ruajnë. Ju mos u ndalni, por vazhdoni të ndiqni armiqtë. Sulmoni prapavijën e tyre e mos i lini të hyjnë nëpër qytetet e veta, sepse Zoti, Perëndia juaj, jua ka dorëzuar juve». Jozuehu e izraelitët i shfarosën krejt, derisa u shkatërruan, por disa shpëtuan e hynë në qytetet e strehimit. Pastaj gjithë populli u kthye shëndoshë e mirë te Jozuehu në fushimin e Makedasë. Askush nuk guxoi më as të belbëzonte kundër izraelitëve. Atëherë Jozuehu dha këtë urdhër: «Hapni grykën e shpellës, nxirrini prej saj të pesë mbretërit e sillini tek unë». Ashtu vepruan. I nxorën të pesë mbretërit nga shpella, mbretin e Jerusalemit, mbretin e Hebronit, mbretin e Jarmuthit, mbretin e Lakishit, mbretin e Eglonit, e i sollën tek ai. Si i nxorën jashtë mbretërit e i çuan te Jozuehu, ai thirri të gjithë izraelitët. Pastaj u tha prijësve ushtarakë, që kishin qenë me të në luftë: «Afrohuni e vini këmbën në qafën e këtyre mbretërve!». Ata u afruan e i vunë këmbët mbi qafat e mbretërve. Pastaj u tha: «Mos kini frikë e mos u tmerroni! Jini të fortë e kini guxim, se kështu ka për t'ua bërë Zoti të gjithë armiqve, me të cilët po luftoni». Jozuehu i goditi për vdekje e i vari në pesë pemë. I lanë të varur nëpër pemë deri në mbrëmje. Në perëndim të diellit Jozuehu dha urdhër t'i zbrisnin kufomat nga pemët e t'i hidhnin në shpellën ku ishin fshehur. Te gryka e shpellës vunë gurë të mëdhenj, që janë aty edhe sot e kësaj dite. Po atë ditë, Jozuehu pushtoi edhe Makedanë dhe i kaloi në teh të shpatës të gjithë banorët e mbretin e saj. Nuk la asnjë njeri gjallë e veproi me mbretin e Makedasë siç kishte vepruar edhe me mbretin e Jerikosë. Nga Makedaja Jozuehu e gjithë izraelitët që ishin me të u nisën për të sulmuar Libnahun. Zoti u dorëzoi izraelitëve edhe Libnahun e mbretin e tij. Jozuehu i kaloi në teh të shpatës të gjithë banorët e tij e nuk la gjallë asnjë njeri. Me mbretin e Libnahut Jozuehu veproi siç kishte vepruar edhe me mbretin e Jerikosë. Pastaj Jozuehu e gjithë izraelitët që ishin me të u nisën nga Libnahu për në Lakish. Fushuan afër qytetit dhe e sulmuan. Zoti ia dorëzoi Lakishin Izraelit. Lakishi u pushtua ditën e dytë të betejës dhe izraelitët kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët e tij, siç kishin bërë edhe në Libnah. Horami, mbreti i Gezerit, shkoi për të ndihmuar Lakishin. Jozuehu e njerëzit e tij e sulmuan derisa nuk mbeti njeri gjallë. Pastaj Jozuehu e të gjithë izraelitët që ishin me të u nisën nga Lakishi për në Eglon. Fushuan afër qytetit dhe e sulmuan. E pushtuan që atë ditë dhe kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët e tij, siç kishin bërë edhe në Lakish. Jozuehu e të gjithë izraelitët që ishin me të shkuan nga Egloni në Hebron dhe e sulmuan. E pushtuan dhe kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët e qytetit, mbretin e qytetet e tjera që i përkisnin atij. Nuk mbeti gjallë asnjë njeri. E shkatërruan qytetin me gjithë banorët e tij, siç kishin bërë edhe me Eglonin. Pastaj Jozuehu e të gjithë izraelitët që ishin me të u kthyen drejt Debirit dhe e sulmuan. E pushtuan qytetin e mbretin e zunë rob. Pushtuan edhe të gjitha qytetet e tjera që i përkisnin atij. I goditën me shpata dhe i shfarosën të gjithë banorët. Nuk shpëtoi askush. Me Debirin e me mbretin e tij vepruan si me Hebronin, ashtu siç kishin vepruar edhe me Libnahun e mbretin e tij. Jozuehu pushtoi mbarë tokën, krahinën malore, Negevin, ultësirën fushore e shpatet e maleve. Vrau edhe të gjithë mbretërit e tyre e nuk la gjallë asnjë njeri. Jozuehu shfarosi çdo gjë të gjallë, siç i kishte urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit. Jozuehu pushtoi gjithë vendin nga Kadesh Barnea në Gazë dhe të gjithë krahinën e Goshenit deri në Gibeon. Jozuehu i pushtoi tërë këto toka dhe i kapi robër të gjithë mbretërit e tyre me një sulm të vetëm, se përkrah izraelitëve luftonte vetë Zoti, Perëndia i Izraelit. Pastaj Jozuehu e të gjithë izraelitët, që ishin me të, u kthyen në fushimin e Gilgalit. Jabini, mbreti i Hacorit, dëgjoi për këto e i dërgoi fjalë Jobabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit, mbretit të Akshafit e të gjithë mbretërve që banonin në krahinat malore të veriut, në Arabah në jug të Kineretit, në ultësirat fushore e në lartësitë e Dorit në perëndim, kananitëve në lindje e në perëndim, amoritëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, në krahinën malore, e hivitëve, rrëzë malit të Hermon, në vendin e Micpahut. Atëherë ata dolën me gjithë ushtrinë e tyre, turmë e madhe luftëtarësh, sa rëra e bregut të detit, me kuaj e qerre me shumicë. Mbretërit u bënë bashkë e fushuan pranë ujërave të Meromit, për të sulmuar Izraelin. Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Mos ki frikë prej tyre, se nesër si në këtë orë kam për të t'i dorëzuar të gjithë ty, që t'i shfarosësh në prani të Izraelit. Kuajve të tyre do t'u presësh leqet e këmbëve e qerret e tyre do t'i djegësh në zjarr». Jozuehu e të gjithë luftëtarët që ishin me të, mbërritën papritur në ujërat e Meromit e i sulmuan. Zoti ia dorëzoi armiqtë izraelitëve. Izraelitët i sulmuan e i ndoqën deri në Sidonin e Madh, deri në ujërat e Misrepotit dhe në luginën e Micpahut në lindje. I goditën derisa nuk mbeti gjallë asnjë. Jozuehu veproi me ta ashtu siç i kishte thënë Zoti. Kuajve të tyre u preu leqet e këmbëve e qerret e tyre i dogji në zjarr. Në atë kohë, Jozuehu u kthye dhe pushtoi Hacorin. Mbretin e Hacorit e vrau me shpatë. Hacori kishte qenë dikur kryeqyteti i të gjitha këtyre mbretërive. Izraelitët kaluan në teh të shpatës e shfarosën të gjithë banorët e tij. Në Hacor nuk mbeti gjallë askush e qyteti u dogj flakë. Jozuehu i pushtoi të gjitha qytetet e zuri robër të gjithë mbretërit. I kaloi të gjithë në teh të shpatës e i shfarosi, siç e kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit. Por qytetet e ndërtuara mbi kodrina nuk i dogji, përveç Hacorit, që e bëri shkrumb. Izraelitët morën për vete gjithë plaçkën e qytetit e bagëtitë, por njerëzit i kaluan të gjithë në teh të shpatës e i shfarosën, derisa nuk mbeti gjallë njeri. Moisiu i kishte urdhëruar Jozuehut çka i kishte urdhëruar Zoti. Jozuehu bëri gjithçka i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. Jozuehu e pushtoi tërë krahinën malore, tërë Negevin, tërë krahinën e Goshenit, ultësirën, Arabahun, malësinë e ultësirën e Izraelit, që prej malit Halak, që shtrihet në drejtim të Seirit, e deri në Baal Gad, në luginën e Libanit, rrëzë malit Hermon. Ai i zuri rob të gjithë mbretërit e këtyre trojeve, i goditi e i vrau. Jozuehu luftoi për shumë kohë kundër këtyre mbretërve. Asnjë qytet nuk bëri paqe me izraelitët, përveç hivitëve, që banonin në Gibeon. Të gjitha qytetet e tjera i pushtuan me luftë, se Zoti i ngurtësoi zemrat e tyre, që të luftonin kundër Izraelit. Kështu, ata u bënë pre e shkatërrimit të pamëshirshëm dhe e shfarosjes së plotë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Po në atë kohë, Jozuehu marshoi për të shfarosur anakitët, që banonin nëpër male, në Hebron, në Debir, në Anab, dhe nëpër të gjithë malësinë e Judës e të Izraelit. Ai i shkatërroi të gjitha qytetet e tyre. Nuk la gjallë asnjë anakit në tokën e Izraelit, përveçse në Gazë, në Gat e në Ashdod. Jozuehu e pushtoi tërë vendin, siç i kishte thënë Zoti Moisiut, e ia dha për trashëgim izraelitëve sipas ndarjeve në fise. Kështu, vendi ishte në paqe e nuk pati më luftë. Këta janë mbretërit e vendit, që izraelitët e pushtuan dhe e morën për pronë në bregun lindor të Jordanit, nga përroi i Arnonit deri në malin Hermon e në krahinën lindore të Arabahut. Sihoni ishte mbreti i amoritëve. Ai banonte në Heshbon e sundonte nga Aroeri, ndërtuar në breg të përroit të Arnonit, nga gjysma e luginës së përroit e nga gjysma e Gileadit, deri në luginën e Jabokut, në kufi me bijtë e Amonit. Ai sundonte edhe krahinën lindore të Arabahut, nga deti i Kineretit deri në detin e Arabahut, deti i Kripur, nga rruga për në Bet Jeshimot deri në shpatet e Pisgahut në jug. Ogu ishte mbreti i Bashanit dhe një prej refaitëve të fundit. Ai banonte në Ashtarot e në Edrej dhe sundonte malin Hermon, Salkahun e tërë Bashanin, deri në kufi me geshuritët, makatitët e me gjysmën e Gileadit, në kufijtë e Sihonit, mbretit të Heshbonit. Moisiu, shërbëtori i Zotit, bashkë me izraelitët, i mundi ata dhe tokën e tyre ia dha si trashëgimi fisit të Rubenit, fisit të Gadit e gjysmës së fisit të Manaseut. Këta janë mbretërit e vendit që, Jozuehu dhe izraelitët e pushtuan në bregun perëndimor të Jordanit, nga Baal Gadi në luginën e Libanit deri në malin Halak, që shtrihet drejt Seirit. Jozuehu ia dha për trashëgimi fiseve të Izraelit, secilit pjesën e vet, krahinën malore e ultësirën e Arabahut, shpatet e shkretëtirën e Negevit, vendin e hititëve, amoritëve, kananitëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve. Mbretërit e atij vendi, nga një sipas qyteteve, janë: mbreti i Jerikosë, mbreti i Ajit, përbri Betelit, mbreti i Jerusalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit, mbreti i Eglonit, mbreti i Gezerit, mbreti i Debirit, mbreti i Gederit, mbreti i Hormahut, mbreti i Aradit, mbreti i Libnahut, mbreti i Adulamit, mbreti i Makedasë, mbreti i Betelit, mbreti i Tapuahut, mbreti i Heferit, mbreti i Afekut, mbreti i Sharonit, mbreti i Madonit, mbreti i Hacorit, mbreti i Shimron Meronit, mbreti i Akshafit, mbreti i Tanakut, mbreti i Megidosë, mbreti i Kedeshit, mbreti i Jokneamit në Karmel, mbreti i Dorit, në lartësitë e Dorit, mbreti i Gojimit në Gilgal e mbreti i Tircahut, gjithsej tridhjetë e një mbretër. Jozuehu ishte plak e i thyer në moshë tashmë. Atëherë Zoti i tha: «Ti je plakur e je në moshë të thyer, por mbetet ende një pjesë e madhe e vendit për t'u pushtuar. Toka që mbetet për t'u pushtuar përfshin krahinat e filistinëve e të geshuritëve, nga Shihori, përballë Egjiptit, e deri në kufijtë e Ekronit në veri. Kjo është tokë kananite e ndahet në pesë principata filistinësh, principata e Gazës, e Ashdodit, e Ashkelonit, e Gatit dhe e Ekronit, si dhe trojet e avitëve në jug. Mbetet tërë toka e kananitëve, nga Arahu, që i përket sidonasve, deri në Afek e deri në kufijtë e amoritëve. Mbetet edhe toka e gibelitëve dhe tërë krahina e Libanit lindor, nga Gad Baali, në rrëzë të malit Hermon, deri në Lebo Hamat, tërë banorët e malësisë, nga Libani e deri tek ujërat e Misrepotit, ku banojnë sidonasit. Do të jem unë ai që do t'i dëboj para syve të izraelitëve. Ti do t'ua japësh tokën për pronë izraelitëve, siç të kam urdhëruar. Ndajua, pra, këtë vend me short nëntë fiseve të mbetura e gjysmës së fisit të Manaseut». Moisiu i dha për pronë fisit të Rubenit e të Gadit, si dhe gjysmës së fisit të Manaseut, tokën përtej Jordanit, në bregun lindor të tij, nga Aroeri, në breg të përroit të Arnonit, dhe nga qyteti në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, deri në Dibon. U dha edhe të gjitha qytetet e Sihonit, mbretit të amoritëve, që sundonte në Heshbon, në kufi me amonitët, Gileadin, trojet e geshuritëve dhe të makatitëve, tërë malin e Hermonit e gjithë Bashanin, deri në Salkah. Edhe tërë mbretërinë e Ogut të Bashanit, që sundonte në Ashtarot e në Edrej. Ogu ishte njëri prej refaitëve të fundit. Ata i kishte mposhtur Moisiu e i kishte dëbuar nga tokat e tyre. Por izraelitët nuk i dëbuan geshuritët e makatitët, që banojnë edhe sot e kësaj dite në Geshur e në Makat. Vetëm fisit të Levit nuk i kishte dhënë trashëgimi, sepse trashëgimia e tyre janë flijimet për Zotin, Perëndinë e Izraelit, siç i kishte thënë Zoti. Toka që Moisiu i dha fisit të Rubenit e pasardhësve të tij, sipas klaneve fillonte në Aroer, në bregun e përroit të Arnonit, përfshinte qytetin që ndodhet në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, Heshbonin e të gjitha qytetet që ndodheshin në rrafshnaltë, Dibonin, Bamot Baalin, Bet Baal Meonin, Jahacin, Kedmotin, Mefatin, Kirjataimin, Sibmahun, Ceret Shaharin, që ndodhet në kodrat përmbi luginë, Betpeorin, shpatet e Pisgahut, Bet Jeshimotin e të gjitha qytetet e mbretërisë së Sihonit, mbretit të amoritëve, që kishte mbretëruar në Heshbon, e që Moisiu e kishte mposhtur, bashkë me princat e Midianit, Eviut, Rekemit, Curit, Hurit e Rebës, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë tokë. Izraelitët kishin vrarë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit, shortarin. Kufiri i pasardhësve të Rubenit ishte lumi i Jordanit. Kjo është prona që morën si trashëgimi pasardhësit e Rubenit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre. Toka që Moisiu i dha fisit të Gadit e pasardhësve të tij, sipas klaneve, fillonte në Jazer, përfshinte të gjitha qytetet e Gileadit, gjysmën e tokës së amonitëve deri në Aroer, përballë Rabahut, shtrihej nga Heshboni në Ramah Micpah, në Betonim e nga Mahanaimi deri në kufijtë e Lo Debarit. Përfshinte edhe luginën ku gjenden Bet Harami, Bet Nimrahu, Sukoti, Cafoni dhe pjesa e mbetur të mbretërisë së Sihonit, mbretit të Heshbonit. Toka e tyre ka për kufi Jordanin e shkon deri në bregun e detit të Kineretit, përtej Jordanit, në bregun lindor. Kjo është trashëgimia e pasardhësve të Gadit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre. Toka që Moisiu i dha gjysmës së fisit të Manaseut, pra, gjysmës së pasardhësve të Manaseut, sipas klaneve përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit dhe të gjitha fshatrat e Jairit. Gjithsej gjashtëdhjetë qytete të Bashanit. Trojet përfshinin edhe gjysmën e Gileadit, Ashtarotin, Edrejin, qytetet e mbretërisë së Ogut në Bashan, që iu dhanë njërës pjesë të pasardhësve të Makirit, birit të Manaseut, sipas klaneve. Këto janë pronat që ndau Moisiu në stepat e Moabit, në bregun lindor të Jordanit, kundruall Jerikosë. Moisiu nuk i dha trashëgimi fisit të Levit, sepse trashëgimia e tyre është Zoti, Perëndia i Izraelit, siç u kishte thënë vetë Zoti. Kjo është trashëgimia që morën izraelitët në tokën e Kanaanit, të cilën ua ndau prifti Eleazar, Jozuehu, biri i Nunit, e krerët e familjeve të fiseve të Izraelit. Trojet u ndanë me short, ashtu siç kishte urdhëruar Zoti, përmes Moisiut, për nëntë fiset e për gjysmën e fisit të Manaseut. Dy fiseve e gjysmës tjetër të fisit të Manaseut Moisiu ia kishte dhënë trashëgiminë përtej Jordanit, ndërsa levitëve nuk u kishte dhënë asnjë trashëgimi. Pasardhësit e Jozefit ndahen në dy fise, në fisin e Manaseut e në fisin e Efraimit, ndërsa levitëve nuk iu dha tokë, përveç disa qyteteve për të banuar dhe kullotave për bagëtitë e gjënë e gjallë. Izraelitët e ndanë tokën siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Pasardhësit e Judës shkuan te Jozuehu në Gilgal. Kalebi, biri i Jefuneh Kenizitit, i tha Jozuehut: «Ti e di çfarë i tha Zoti Moisiut, njeriut të Perëndisë, për mua e për ty në Kadesh Barne. Isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Zotit më dërgoi nga Kadesh Barnea për të përgjuar vendin. Kur u ktheva, e njoftova me hollësi e me zemër të pastër. E ndërsa vëllezërit e mi që kishin qenë me mua i futën frikën popullit, unë i mbeta besnik Zotit, Perëndisë tim. Atë ditë Moisiu u betua e tha: “Toka që shkeli këmba jote do të bëhet pronë e jotja dhe e fëmijëve të tu përjetë, sepse i ke qëndruar besnik Zotit, Perëndisë tim”. Dhe ja, Zoti më ka mbajtur në jetë, ashtu siç tha. Kanë kaluar dyzet vjet nga dita kur Zoti foli me Moisiun, në kohën kur Izraeli endej nëpër shkretëtirë, dhe ja ku jam sot, tetëdhjetë e pesë vjeç. Jam ende i fortë si ditën kur më dërgoi Moisiu. Kam po aq fuqi tani sa ç'kisha edhe atëherë, për të shkuar në luftë e për t'u kthyer nga lufta. Prandaj, ma jep mua këtë mal, siç tha Zoti atë ditë, sepse atë ditë ti vetë e dëgjove se aty banonin anakitët, në qytete të mëdha e të fortifikuara. Dashtë Zoti t'i shpartalloj me ndihmën e tij, siç ka thënë vetë Zoti ». Jozuehu e bekoi Kalebin, birin e Jefunehut, e i dha për pronë Hebronin. Kështu, Hebroni është pronë e Kalebit, birit të Jefuneh Kenizitit, edhe sot e kësaj dite, sepse ai i qëndroi besnik Zotit, Perëndisë së Izraelit. Hebroni quhej më parë Kirjat Arba, sepse Arbai kishte qenë njeri i madh ndër anakitët. Në atë vend nuk pati më luftë. Toka që iu nda me short fisit të Judës, sipas klaneve, shtrihej në jug deri në kufijtë e Edomit, në shkretëtirën e Cinit. Kufiri jugor fillonte nga kepi në fundin jugor të detit të Kripur, zgjatej në jug në drejtim të përpjetës së Akrabimit, kalonte në Cin, nga jugu i Kadesh Barnesë, kalonte në Hecron, ngjitej në Adar e kthente në Karkah. Pastaj kalonte në Acmon, ngjitej për në përroin e Egjiptit e përfundonte në det. Ky ishte kufiri jugor. Kufiri lindor ishte deti i Kripur deri në grykën e Jordanit. Kufiri verior fillonte te gjiri i detit në grykën e Jordanit. Pastaj kufiri ngjitej në Bet Hoglah, kalonte nga veriu i Bet Arabahut e ngjitej deri te shkëmbi i Bohanit, birit të Rubenit. Më tej kalonte në Debir, nëpër luginën e Akorit e në veri kthehej për në Gilgal, përballë përpjetës së Adumimit, në jug të përroit. Kalonte përgjatë ujërave të En Shemeshit e shkonte deri në En Rogel. Pastaj kufiri ngjitej në luginën e Ben Hinomit, përgjatë shpateve jugore të jebusitëve, ku është Jerusalemi. Prej këtu ngjitej në majë të malit, kundruall pjesës perëndimore të luginës së Hinomit, deri në fundin verior të luginës së refaitëve. Nga maja e malit kufiri kthehej drejt burimeve të Neftoahut e pastaj shkonte drejt qyteteve të malit të Efronit, për t'u kthyer më pas drejt Baalahut, që është Kirjat Jearimi. Nga Baalahu kufiri kthente për nga perëndimi në drejtim të malit Seir, kalonte në veri të shpateve të malit të Jearimit, që është Kesaloni, e zbriste në Bet Shemesh, duke kaluar nga Timnahu. Pastaj kalonte në veri të shpateve të Ekronit, kthehej drejt Shikeronit, shkonte deri në Jabnel, duke kaluar malin e Baalahut e përfundonte në det. Kufiri perëndimor ishte deti i Madh. Këta ishin kufijtë e fisit të Judës, sipas klaneve. Kalebi, biri i Jefunehut, mori një pronë brenda trojeve të pasardhësve të Judës, ashtu siç i kishte thënë Zoti Jozuehut për Kirjat Arbanë që është Hebroni. Arbai është ati i Anakut. Kalebi i dëboi prej Hebronit të tre bijtë e Anakut, Sheshain, Ahimanin e Talmain, pasardhës të Anakut. Prej Hebronit ai shkoi për të sulmuar banorët e Debirit. Debiri quhej më parë Kirjat Sefer. Kalebi tha: «Atij që do të sulmojë e do të pushtojë Kirjat Seferin do t'i jap për grua time bijë, Aksahanë». Qytetin e pushtoi Otnieli, biri i Kenazit, të vëllait të Kalebit, prandaj Kalebi i dha për grua të bijën, Aksahanë. Aksahaja, kur erdhi në shtëpinë e burrit, i mbushi mendjen të shoqit që ajo të shkonte tek i ati e t'i kërkonte një arë. Sapo zbriti nga gomari, Kalebi e pyeti: «Çfarë ke?». Ajo i tha: «Më jep një gjë si bekim. Më ke dhënë tokë në Negev, por dua të më japësh edhe ndonjë burim uji». Atëherë Kalebi i dha burimet e sipërme dhe burimet e poshtme. Këto janë trojet e fisit të Judës, sipas klaneve. Qytetet e fundit në pjesën jugore të trojeve të pasardhësve të Judës, në kufi me Edomin, ishin Kabceli, Ederi, Jaguri, Kinahu, Dimonahu, Adadahu, Kedeshi, Hacori, Itnani, Zifi, Telemi, Bealoti, Hacor Hadatahu, Kerioti, Hecroni, që është Hacori, Amani, Shemai, Moladahu, Hacar Gadahu, Heshmoni, Bet Peleti, Hacar Shuali, Bersheba, Biziotejahu, Baalahu, Ijimi, Ecemi, Eltoladi, Kesili, Hormahu, Ciklagu, Madmanahu, Sansanahu, Lebaoti, Shilhimi, Ajini dhe Rimoni: gjithsej njëzet e nëntë qytete me fshatrat përreth. Në ultësirë ndodheshin Eshtaoli, Corahu, Ashnahu, Zanoahu, En Ganimi, Tapuahu, Enami, Jarmuthi, Adulami, Sokohu, Azekahu, Sharaimi, Aditajimi, Gederahu dhe Gederotajimi, gjithsej katërmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Ishin edhe Cenani, Hadashahu, Migdal Gadi, Dileani, Micpahu, Jokteli, Lakishi, Bockati, Egloni, Kaboni, Lahmasi, Kitlishi, Gederoti, Bet Dagoni, Namahu dhe Makedaja, gjithsej gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Më pas vinin Libnahu, Eteri, Ashani, Jeftahu, Ashnahu, Necibi, Kejlahu, Akzibi, Mareshahu, gjithsej nëntë qytete me fshatrat përreth. Pastaj vinte Ekroni me qytezat dhe fshatrat përreth. Nga Ekroni deri në det përfshihej gjithçka që gjendej pranë Ashdodit me fshatrat përreth: Ashdodi vetë me qytezat dhe fshatrat përreth, Gaza me qytezat dhe fshatrat përreth, deri në përroin e Egjiptit. Kufiri ishte deti i Madh. Në malësi ndodheshin Shamiri, Jatiri, Sokohu, Danahu, Kirjat Sanahu, që është Debiri, Anabi, Eshtemohu, Animi, Gosheni, Holoni dhe Gilohu, gjithsej njëmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Ishin edhe Arabi, Rumahu, Eshani, Janimi, Bet Tapuahu, Afeku, Humtahu, Kirjat Arbaja, që është Hebroni, dhe Ciori, gjithsej nëntë qytete me fshatrat përreth. Pastaj vinin Maoni, Karmeli, Zifi, Jutahu, Izreli, Jokdeami, Zanoahu, Kaini, Gibeahu dhe Timnahu, gjithsej dhjetë qytete me fshatrat përreth. Halhuli, Betcuri, Gedori, Marati, Bet Anoti dhe Eltekoni, gjithsej gjashtë qytete me fshatrat përreth. Kirjat Baali, që është Kirjat Jearimi, dhe Rabahu, gjithsej dy qytete me fshatrat përreth. Në shkretëtirë ndodheshin Bet Arabahu, Midini, Sekakahu, Nibshani, Ir Melahu, En Gedi, gjithsej gjashtë qytete me fshatrat përreth. Pasardhësit e Judës nuk mundën t'i dëbonin të gjithë jebusitët, që banonin në Jerusalem, ndaj ata banojnë edhe sot e kësaj dite në Jerusalem bashkë me pasardhësit e Judës. Tokat nga Jordani, përballë Jerikosë, deri te burimet e Jerikosë në lindje, u ranë me short pasardhësve të Jozefit. Nga Jerikoja kufiri ngjitej nëpër shkretëtirë, kalonte në malësinë e Betelit e nga Beteli shkonte në Luz, për të kaluar kufirin e arkitëve në Atarot. Në perëndim kufiri zbriste deri në Bet Horonin e poshtëm e në Gezer. Tokat e tyre përfundonin në det. Këto i morën trashëgimi bijtë e Jozefit, Efraimi e Manaseu. Pasardhësit e Efraimit morën, sipas klaneve, tokat që kufizoheshin në lindje me Atarot Adarin e që shkonin deri në Bet Horonin e sipërm. Kufijtë e tyre shkonin deri në det. Në veri kufiri kalonte Mikmetatin e kthente në lindje për në Tanat Shiloh. Si e kalonte Tanat Shilohun, shkonte më në lindje për në Janoah. Nga Janoahu zbriste për në Atarot e Narah, prekte Jerikonë e shkonte deri në Jordan. Nga Tapuahu zgjatej në perëndim drejt përroit të Kanës e përfundonte në det. Kjo është trashëgimia e pasardhësve të fisit të Efraimit, sipas klaneve. Këtyre u shtohen edhe qytetet që iu dhanë pasardhësve të Efraimit brenda tokave të pasardhësve të Manaseut, me gjithë fshatrat përreth. Pasardhësit e Efraimit nuk i dëbuan kananitët që banonin në Gezer, prandaj kananitët banojnë edhe sot e kësaj dite mes pasardhësve të Efraimit. Ata u bënë robër pune. Manaseu, i parëlinduri i Jozefit, mori me short tokat që i përkisnin atij. Makiri ishte i parëlinduri i Manaseut e ati i Gileadit. Ai ishte luftëtar i shquar dhe mori për pronë Gileadin e Bashanin. Edhe pasardhësit e tjerë të Manaseut morën tokat e tyre, sipas klaneve, pasardhësit e Abiezerit, të Helekut, të Asrielit, të Shekemit, të Heferit e të Shemidait. Këta ishin pasardhësit meshkuj të Manaseut, birit të Jozefit. Celofehadi, biri i Heferit, të birit të Gileadit, të birit të Makirit, të birit të Manaseut, nuk kishte bij, por vetëm bija. Ato quheshin Mahla, Noa, Hogla, Milka e Tirca. Ato u paraqitën te prifti Eleazar, te Jozuehu, biri i Nunit, e te prijësit e popullit e u thanë: «Zoti i ka urdhëruar Moisiut që të na jepet edhe neve trashëgimi ndër vëllezërit tanë». Jozuehu u dha edhe atyre pjesë ndër vëllezërit e atit të tyre, siç kishte thënë Zoti. Kështu, Manaseut i takoi të marrë edhe dhjetë pjesë toke, përveç tokës së Gileadit e Bashanit, që mori përtej Jordanit. Bijat e Manaseut, morën edhe ato trashëgimi mes bijve të tij. Toka e Gileadit u bë pronë e pasardhësve të tjerë të Manaseut. Kufiri i Manaseut fillonte nga Asheri në Mikmetat, kundruall Shekemit e kthente djathtas drejt banorëve të En Tapuahut. Krahina e Tapuahut i përkiste Manaseut, ndërsa vetë Tapuahu, që ndodhej në kufi të tokës së Manaseut, u përkiste pasardhësve të Efraimit. Pastaj kufiri zbriste për në përroin e Kanës. Megjithatë qytetet në jug të përroit i përkisnin Efraimit edhe pse ndodheshin mes qyteteve të Manaseut. Prej andej kufiri kalonte në veri të përroit e dilte në det. Tokat që shtriheshin në jug i përkisnin Efraimit, ndërsa tokat që shtriheshin në veri i përkisnin Manaseut. Kufiri mes tyre ishte deti. Në veri kufizohej me Asherin, ndërsa në lindje me Isaharin. Në tokat e Isaharit e të Asherit, Manaseu zotëronte edhe Bet Sheanin me fshatrat përreth, Ibleamin me fshatrat përreth, Dorin me fshatra e banorë, Endorin me fshatra e banorë, Tanakun me fshatra e banorë, e Megidonë me fshatra e banorë, gjithsej tri krahina kodrinore. Pasardhësit e Manaseut nuk arritën t'i pushtonin të gjitha këto qytete, sepse kananitët u treguan të vendosur për të banuar në atë vend. Kur izraelitët u bënë më të fortë, i kthyen kananitët në robër pune, por nuk i dëbuan plotësisht. Pasardhësit e Jozefit folën me Jozuehun e i thanë: «Përse na ke dhënë për pronë vetëm një pjesë toke? Zoti na ka bekuar e jemi bërë popull i madh». Jozuehu u tha: «Meqenëse jeni bërë popull i madh e jeni ngushtë në krahinën malore të Efraimit, shkoni në pyll e hapni tokë të re për veten tuaj në tokat e perizitëve e refaitëve». Pasardhësit e Jozefit i thanë: «Krahina malore nuk na mjafton dhe të gjithë kananitët që banojnë nëpër lugina kanë qerre hekuri, si ata që banojnë në Bet Shean e në fshatrat përreth, edhe ata të luginës së Izrelit». Atëherë Jozuehu i tha pasardhësve të Jozefit, pra, fisit të Efraimit e Manaseut: «Ju jeni një popull i madh e shumë i fortë, prandaj dhe nuk keni për të pasur vetëm një pjesë toke. Krahina malore e mbuluar me pyje do të jetë e juaja. Do ta shpyllëzoni e do ta pushtoni të gjithën. Kananitët do t'i dëboni, pavarësisht se kanë qerre hekuri e janë të fortë». E gjithë bashkësia e izraelitëve u mblodh në Shiloh e aty ngritën tendën e takimit. Tashmë izraelitët e kishin pushtuar të gjithë vendin, por shtatë nga fiset e izraelitëve kishin mbetur ende pa e marrë trashëgiminë. Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Deri kur do të rrini duarkryq pa e marrë tokën që ju ka dhënë Zoti, Perëndia i etërve tuaj? Zgjidhni nga tre burra për fis, që t'i dërgoj për të përshkuar vendin e për të përshkruar pjesën e tyre të trashëgimisë. Kur të kthehen, të paraqiten tek unë. Tokën ta ndajnë mes tyre në shtatë pjesë. Fisi i Judës i ka tokat e veta në jug, ndërsa fiset e Jozefit i kanë më në veri. Ndarjen e tokës në shtatë pjesë shkruajeni me hollësi dhe pjesët e shkruara m'i sillni mua, që të hedh shortin në prani të Zotit, Perëndisë tonë. Levitët nuk do të kenë pjesë me ju, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre. Gadi, Rubeni e gjysma e fisit të Manaseut e kanë marrë pronën në anën tjetër të Jordanit, në bregun lindor të tij. Ua dha vetë Moisiu, shërbëtori i Zotit ». Kur burrat po niseshin për të bërë përshkrimin e tokës, Jozuehu u tha: «Shkoni e bëjeni mirë përshkrimin e tokës. Kur të ktheheni, pjesët e shkruara m'i sillni mua këtu në Shiloh, që të hedh shortin në prani të Zotit ». Burrat u nisën dhe e përshkuan mbarë tokën. Ndarjen në shtatë pjesë e shkruan me hollësi, qytet më qytet, e ia sollën Jozuehut në fushimin e Shilohut. Jozuehu hodhi shortin për ta në Shiloh, në prani të Zotit, e aty ua ndau tokën izraelitëve sipas pjesës që u ra. Pjesa e parë u ra me short pasardhësve të Benjaminit, sipas klaneve. Tokat e tyre shtriheshin ndërmjet pasardhësve të Judës e pasardhësve të Jozefit. Kufiri verior fillonte nga Jordani, ngjitej në veri të shpateve të Jerikosë dhe, si kalonte krahinën malore për nga perëndimi, përfundonte në shkretëtirën e Bet Avenit. Më pas kufiri shkonte drejt Luzit, kalonte në jug të shpateve të Luzit, që është Beteli, e zbriste në Atarot Adar, përmes malit në jug të Bet Horonit të poshtëm. Nga ana perëndimore e malit, në jug të Bet Horonit të poshtëm, kufiri kthente drejt jugut e përfundonte në Kirjat Baal, që është Kirjat Jearimi, qytet i pasardhësve të Judës. Ky ishte krahu perëndimor. Ana jugore e kufirit fillonte në Kirjat Jearim e shtrihej drejt perëndimit deri te burimet e Neftoahut. Pastaj kufiri zbriste deri në fund të malit kundruall luginës së Ben Hinomit, në veri të luginës së refaitëve. Prej aty zbriste nëpër luginën e Ben Hinomit, kalonte nëpër shpatet jugore të jebusitëve dhe përfundonte në En Rogel. Si kthente drejt veriut, shkonte për në En Shemesh, pastaj në Geliot, kundruall përpjetës së Adumimit, e zbriste drejt shkëmbit të Bohanit, birit të Rubenit. Më pas kalonte shpatet veriore përballë Arabahut e zbriste për në Arabah. Pastaj kufiri kalonte në veri të shpateve të Bet Hoglahut dhe arrinte në skajin më të largët të gjirit verior të detit të Kripur, në grykëderdhjen jugore të Jordanit. Ky ishte kufiri jugor. Në lindje kufizohej me Jordanin. Kjo ishte trashëgimia dhe këta ishin kufijtë e pasardhësve të Benjaminit, sipas klaneve. Qytetet që i përkisnin fisit të Benjaminit, sipas klaneve, ishin Jerikoja, Bet Hoglahu, Emek Kecici, Bet Arabahu, Cemaraimi, Beteli, Avahu, Parahu, Ofrahu, Kafaramoni, Ofniu e Geba, gjithsej dymbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Qytetet e tjera ishin Gibeoni, Ramahu, Beroti, Micpahu, Kefirahu, Mocahu, Rekemi, Irpeeli, Taralahu, Cela Elefi, qyteti i jebusitëve, që është Jerusalemi, Gibeahu e Kirjati, gjithsej katërmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Benjaminit, sipas klaneve. Pjesa e dytë i ra me short fisit të Simeonit. Tokat e pasardhësve të Simeonit shtriheshin, sipas klaneve, brenda pronës së pasardhësve të Judës. Pronë e tyre ishin Bersheba, Sheba, Moladahu, Hacar Shuali, Balahu, Ecemi, Eltoladi, Betuli, Hormahu, Ciklagu, Bet Markaboti, Hacar Susahu, Bet Lebaoti e Sharuheni, gjithsej trembëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Kishin për pronë edhe Ajinin, Rimonin, Eterin e Ashanin, gjithsej katër qytete me fshatrat përreth, si edhe të gjithë fshatrat që ndodheshin pranë këtyre qyteteve deri në Baalat Ber e Ramat Negev. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Simeonit, sipas klaneve. Pjesa e pasardhësve të Simeonit u mor nga pjesa e pasardhësve të Judës, sepse pjesa e tyre ishte tepër e madhe për ta. Prandaj prona e pasardhësve të Simeonit është brenda pronës së pasardhësve të Judës. Pjesa e tretë u ra me short pasardhësve të Zabulonit, sipas klaneve. Kufiri i pronës së tyre shtrihej deri në Sarid. Prej andej kufiri shkonte drejt perëndimit për në Maralah. Arrinte në Dabeshet e në përroin kundruall Jokneamit. Nga Saridi kthente drejt lindjes deri në kufijtë e Kislot Taborit. Pastaj shkonte në Daberat e ngjitej drejt Jafias. Prej andej shkonte drejt lindjes në Gat Hefer dhe Et Kacin, dilte në Rimon e kthente për në Neah. Në veri kufiri kthente drejt Hanatonit e përfundonte në luginën e Iftahelit. Trojet e tyre përfshinin Katatin, Nahalalin, Shimronin, Idalahun e Betlehemin, gjithsej dymbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Zabulonit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre. Pjesa e katërt u ra me short pasardhësve të Isaharit, sipas klaneve. Kufiri i tyre përfshinte Izrelin, Kesulotin, Shunemin, Hafarajimin, Shionin, Anaharatin, Rabitin, Kishjonin, Ebecin, Remetin, En Ganimin, En Hadahun dhe Bet Pacecin. Kufiri i tyre prekte Taborin, Shahacimahun, Bet Shemeshin e përfundonte në Jordan, gjithsej gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Isaharit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre. Pjesa e pestë u ra me short pasardhësve të fisit të Asherit, sipas klaneve. Kufiri i tyre përfshinte Helkatin, Haliun, Betenin, Akshafin, Alamelekun, Amadin, Mishalin e mbërrinte në perëndim deri në Karmel e në Shihor Libnat. Pastaj kthehej drejt perëndimit për në Bet Dagon e mbërrinte në Zabulon e në luginën e Iftahelit. Më pas ngjitej drejt veriut deri në Bet Emek e në Nejel. Prej andej kufiri arrinte në të majtë të Kabulit, në Evron, në Rehob, në Hamon, në Kanë e deri në Sidonin e Madh. Pastaj kufiri kthente drejt Ramahut e shkonte deri në qytetin e fortifikuar të Tirit, kthente përsëri në drejtim të Hosahut e përfundonte në det. Përfshinte Mehebelin, Akzibin, Umahun, Afekun dhe Rehobin, gjithsej njëzet e dy qytete me fshatrat përreth. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të fisit të Asherit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre. Pjesa e gjashtë u ra me short pasardhësve të Neftaliut, sipas klaneve. Kufiri i tyre fillonte nga Helefi e nga dushku i Cananimit, kalonte nga Adami Nekebi, Jabneli, Lakumi e përfundonte në Jordan. Pastaj kufiri kthente nga perëndimi drejt Aznot Taborit e prej andej shkonte në Hukok, prekte Zabulonin nga jugu e Asherin nga perëndimi. Juda e Jordani ishte kufiri lindor. Qytetet e tyre të fortifikuara ishin Cidimi, Ceri, Hamati, Rakati, Kinereti, Adamahu, Ramahu, Hacori, Kedeshi, Edreji, En Hacori, Ironi, Migdal Eli, Horemi, Bet Anati e Bet Shemeshi, gjithsej nëntëmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të fisit të Neftaliut, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre. Pjesa e shtatë u ra me short pasardhësve të fisit të Danit. Kufiri i pronës së tyre përfshinte Corahun, Eshtaolin, Ir Shemeshin, Shalabin, Ajalonin, Itlahun, Elonin, Timnahun, Ekronin, Eltekehun, Gibetonin, Baalatin, Jehudin, Beneberakun, Gat Rimonin, Me Jarkonin, Rakonin e krahinën kundruall Jafës. Kur pasardhësit e Danit i humbën trojet e tyre, sulmuan Leshemin dhe e pushtuan. Banorët e qytetit i vranë me shpatë, ndërsa vetë qytetin e morën për të banuar në të. Qytetit i vunë emrin e Danit, atit të fisit të tyre. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të fisit të Danit, sipas klaneve. Këto ishin qytetet e fshatrat e tyre. Kur izraelitët përfunduan ndarjen e tokës me short, i dhanë pjesë brenda trojeve të tyre edhe Jozuehut, birit të Nunit, sipas urdhrit të Zotit. I dhanë Timnah Serahun në krahinën malore të Efraimit, qytetin që u kishte kërkuar vetë. Jozuehu e ndërtoi qytetin e banoi në të. Këto janë trojet që prifti Eleazar, Jozuehu, biri i Nunit, e pleqtë e fiseve u dhanë fiseve të Izraelit me short në Shiloh në prani të Zotit, në hyrje të tendës së takimit. Ndarja e vendit përfundoi. Pastaj Zoti i tha Jozuehut: «Fol me izraelitët e thuaju të caktojnë qytetet e strehimit, sipas urdhrit që ju dhashë përmes Moisiut. Në to do të gjejë strehë kushdo që vret dikë pa dashje e pa paramendim, për t'i shpëtuar gjakmarrësit. Kur të mbërrijë te qyteti i strehimit, vrasësi të qëndrojë te porta e qytetit e t'u shpjegojë pleqve të qytetit çfarë ka ndodhur. Atëherë ata do ta pranojnë në qytet e do t'i japin një vend për të banuar. Nëse gjakmarrësi shkon dhe e kërkon, nuk do t'ia dorëzojnë, sepse e ka vrarë të afërtin pa dashje e nuk ka pasur urrejtje për të më parë. Do të qëndrojë në atë qytet derisa të gjykohet para bashkësisë e derisa të vdesë kryeprifti që është në shërbim në atë kohë. Vetëm atëherë vrasësi mund të kthehet në shtëpinë e tij dhe në qytetin nga u arratis». Izraelitët caktuan Kedeshin në Galile, në krahinën malore të Neftaliut, Shekemin, në krahinën malore të Efraimit dhe Kirjat Arbanë, që është Hebroni, në krahinën malore të Judës. Në bregun lindor të Jordanit caktuan Becerin në shkretëtirën e rrafshnaltës së Rubenit, Ramotin në Gilead të fisit të Gadit dhe Galonin në Bashan të fisit të Manaseut. Këto ishin qytetet që u caktuan për izraelitët dhe për të huajt që banonin me ta. Në to do të gjente strehë kushdo që kishte vrarë pa dashje, që të mos vritej nga gjakmarrësi, derisa të dilte para gjyqit të bashkësisë. Krerët e familjeve të levitëve shkuan te prifti Eleazar, te Jozuehu, biri i Nunit, e te krerët e fiseve të Izraelit në Shiloh, në vendin e Kanaanit, e u thanë: « Zoti urdhëroi përmes Moisiut të na jepen disa qytete për të banuar bashkë me kullotat përreth për bagëtitë». Izraelitët u dhanë levitëve, sipas fjalës së Zotit, disa qytete me kullota përreth brenda trojeve të tyre. U hodh shorti për klanet e kohatitëve. Pasardhësve të priftit Aron u ranë me short trembëdhjetë qytete brenda trojeve të fisit të Judës, të fisit të Simeonit e të fisit të Benjaminit. Pasardhësve të tjerë të Kohatit u ranë me short dhjetë qytete brenda trojeve të fisit të Efraimit, të fisit të Danit e të gjysmës së fisit të Manaseut. Pasardhësve të Gershonit u ranë me short trembëdhjetë qytete brenda trojeve të fisit të Isaharit, të fisit të Asherit, të fisit të Neftaliut e të gjysmës së fisit të Manaseut në Bashan. Pasardhësve të Merarit u ranë me short dymbëdhjetë qytete brenda trojeve të fisit të Rubenit, të fisit të Gadit e të fisit të Zabulonit. Izraelitët ua dhanë levitëve me short këto qytete me gjithë kullotat përreth, siç kishte urdhëruar Zoti përmes Moisiut. Qytetet e përmendura më poshtë me emër, prej trojeve të pasardhësve të fisit të Judës e të fisit të Simeonit, iu dhanë pasardhësve të Aronit, klaneve të kohatitëve, që ishin pasardhës të Levit, sepse atyre u ra shorti i parë. Atyre iu dha Kirjat Arbaja, që është Hebroni, me kullotat përreth, në krahinën malore të Judës. Arbai ishte ati i anakitëve. Fushat e qytetit dhe fshatrat e tij ia dhanë për pronë Kalebit, birit të Jefunehut. Pasardhësve të priftit Aron iu dhanë këto qytete: Hebroni me kullotat përreth si qytet strehimi për vrasësit, Libnahu me kullotat përreth, Jatiri me kullotat përreth, Eshtemoa me kullotat përreth, Holoni me kullotat përreth, Debiri me kullotat përreth, Ajini me kullotat përreth, Jutahu me kullotat përreth e Bet Shemeshi me kullotat përreth. Gjithsej nëntë qytete prej këtyre dy fiseve. Prej trojeve të fisit të Benjamini iu dha Gibeoni me kullotat përreth, Geba me kullotat përreth, Anatoti me kullotat përreth e Almoni me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Qytetet e pasardhësve të priftit Aron ishin gjithsej trembëdhjetë, me gjithë kullotat përreth. Pjesës tjetër të klaneve të kohatitëve, pasardhësve të Levit, u ranë për pjesë disa qytete nga trojet e fisit të Efraimit. Iu dhanë këto qytete: Shekemi me kullotat përreth si qytet strehimi për vrasësit, në krahinën malore të Efraimit, Gezeri me kullotat përreth, Kibcaimi me kullotat përreth e Bet Horoni me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Prej trojeve të fisit të Danit iu dhanë Eltekehu me kullotat përreth, Gibetoni me kullotat përreth, Ajaloni me kullotat përreth, Gat Rimoni me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Prej trojeve të gjysmës së fisit të Manaseut iu dhanë Tanaku me kullotat përreth, Gat Rimoni me kullotat përreth, gjithsej dy qytete. Qytetet e pjesës së mbetur të klaneve të pasardhësve të Kohatit ishin gjithsej dhjetë. Klaneve levite të pasardhësve të Gershonit iu dhanë prej trojeve të gjysmës së fisit të Manaseut këto qytete: Galoni në Bashan me kullotat përreth, si qytet strehimi për vrasësit, dhe Beeshtarahu me kullotat përreth. Gjithsej dy qytete. Prej trojeve të fisit të Isaharit iu dhanë Kishjoni me kullotat përreth, Daberati me kullotat përreth, Jarmuthi me kullotat përreth dhe En Ganimi me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Prej trojeve të fisit të Asherit iu dhanë Mishali me kullotat përreth, Abdoni me kullotat përreth, Helkati me kullotat përreth dhe Rehobi me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Prej trojeve të fisit të Neftaliut iu dhanë këto qytete: Kedeshi në Galile me kullotat përreth, si qytet strehimi për vrasësit, Hamot Dori me kullotat përreth dhe Kartani me kullotat përreth, gjithsej tre qytete. Qytetet e klaneve të Gershonit ishin gjithsej trembëdhjetë, me gjithë kullotat përreth. Pjesës së mbetur të klaneve levite të pasardhësve të Merarit iu dhanë nga trojet e fisit të Zabulonit Jokneami me kullotat përreth, Kartahu me kullotat përreth, Dimnahu me kullotat përreth e Nahalali me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Prej trojeve të fisit të Rubenit iu dhanë Beceri me kullotat përreth, Jahaci me kullotat përreth, Kedmoti me kullotat përreth e Mefati me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Prej trojeve të fisit të Gadit iu dhanë këto qytete: Ramoti në Gilead me kullotat përreth, si qytet strehimi për vrasësit, Mahanaimi me kullotat përreth, Heshboni me kullotat përreth e Jazeri me kullotat përreth, gjithsej katër qytete. Qytetet e pjesës tjetër të klaneve levite të pasardhësve të Merarit ishin dymbëdhjetë. Levitët morën për pronë prej trojeve të izraelitëve dyzet e tetë qytete me kullotat përreth. Secili prej këtyre qyteteve iu dha atyre me gjithë kullotat përreth. Zoti u dha izraelitëve të gjithë vendin që kishte premtuar t'ua jepte etërve të tyre. Izraelitët e pushtuan dhe banuan në të. Zoti u dha prehje rreth e qark, sipas të gjitha premtimeve që u kishte bërë etërve të tyre. Asnjë nga armiqtë nuk u bëri dot ballë izraelitëve, sepse ua dorëzoi të gjithë. Asnjë prej premtimeve që i kishte bërë Zoti shtëpisë së Izraelit nuk mbeti pa u përmbushur. Të gjitha u kryen. Atëherë Jozuehu thirri rubenitët, gaditët e gjysmën e fisit të Manaseut e u tha: «Ju u jeni bindur të gjitha urdhrave të Moisiut, shërbëtorit të Zotit, e ma keni dëgjuar fjalën sa herë ju kam urdhëruar. Gjatë gjithë kësaj kohe e deri më sot nuk i keni braktisur vëllezërit tuaj e keni zbatuar të gjitha urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj. Tani që Zoti, Perëndia juaj, u ka dhënë paqe vëllezërve tuaj, ashtu siç u kishte premtuar, shkoni e kthehuni në tendat tuaja, në tokën që ju dha për pronë Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit. Veçse bëni shumë kujdes që të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, që të doni Zotin, Perëndinë tuaj, të ecni nëpër të gjitha udhët e tij, të mbani urdhërimet e tij, t'i qëndroni besnikë dhe t'i shërbeni me gjithë zemër e me gjithë shpirt». Pastaj Jozuehu i bekoi dhe i nisi të shkojnë në tendat e tyre. Gjysmës së fisit të Manaseut Moisiu ua kishte dhënë pronën në Bashan, ndërsa gjysmës tjetër ia dha Jozuehu në bregun perëndimor të Jordanit. Jozuehu i nisi edhe ata në tendat e tyre, i bekoi e u tha: «Kthehuni në tendat tuaja me gjithë pasuritë e mëdha, me bagëtitë e shumta, me argjendin, me arin, me bronzin, me hekurin dhe me veshjet e shumta, që keni fituar, dhe ndani me vëllezërit tuaj plaçkën, që u rrëmbyet armiqve». Pasardhësit e Rubenit dhe të Gadit, si edhe gjysma e fisit të Manaseut, u kthyen në vendin e tyre. Izraelitët e tjerë i lanë në Shiloh, në vendin e Kanaanit, ndërsa vetë shkuan në vendin e Gileadit, në tokën që kishin marrë për pronë sipas urdhrit të Zotit përmes Moisiut. Pasardhësit e Rubenit e të Gadit, si dhe gjysma e fisit të Manaseut, mbërritën në Gelilot të Jordanit, në vendin e Kanaanit dhe ndërtuan një altar me pamje madhështore në brigjet e Jordanit. Izraelitët dëgjuan se pasardhësit e Rubenit e të Gadit, si edhe gjysma e fisit të Manaseut, kishin ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në Gelilot të Jordanit, në anën e izraelitëve. Kur e dëgjuan këtë izraelitët, mbarë bashkësia e Izraelit u mblodh në Shiloh për të luftuar kundër tyre. Izraelitët dërguan Finehasin, birin e priftit Eleazar, te pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut në vendin e Gileadit. Bashkë me të dërguan edhe dhjetë prijës, nga një prijës për çdo fis të Izraelit. Secili prej tyre ishte kreu i njësive të ndara sipas familjeve të Izraelit. Kur mbërritën te pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe të gjysmës së fisit të Manaseut në vendin e Gileadit, ata u thanë: «Ja ç'ju thotë tërë bashkësia e Zotit: “Ç'është kjo pabesi që keni bërë kundër Perëndisë së Izraelit? Përse e braktisët Zotin dhe ndërtuat një altar, duke ngritur krye kundër Zotit? Nuk na mjafton paudhësia që bëmë në Peor? Edhe sot e kësaj dite nuk jemi liruar nga plaga që i ra bashkësisë së Zotit. Sot ju jeni kthyer kundër Zotit. Nëse ngrini sot krye kundër Zotit, nesër zemërimi e tij do të bjerë mbi tërë Izraelin. Nëse mendoni se toka që keni marrë për pronë është e papastër, atëherë kaloni në tokën që është pronë e Zotit, atje ku është tenda e Zotit, dhe merrni tokë mes tokave tona. Por mos ngrini krye kundër Zotit, duke ndërtuar një altar tjetër, veç altarit të Zotit, Perëndisë tonë. A nuk veproi me pabesi Akani, biri i Zerahut, kur mori sendet e mallkuara dhe pastaj zemërimi i Zotit ra mbi tërë Izraelin? Akani nuk ishte i vetmi që vdiq për shkak të paudhësisë së tij”». Pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe të gjysmës së fisit të Manaseut u thanë prijësve të familjeve të Izraelit: « Zoti, Perëndia i perëndive, vetë Zoti, Perëndia i perëndive, e di mirë, por le ta marrë vesh edhe Izraeli se, nëse ne vepruam kështu për të ngritur krye apo për të mos i qëndruar besnik Zotit, ai le të na ndëshkojë që tani. Nëse e ndërtuam altarin për t'u larguar nga Zoti apo për të kushtuar mbi të fli shkrumbimi, drithi apo paqtimi, të na gjykojë vetë Zoti. Ne e ndërtuam nga frika se mos nesër pasardhësit tuaj u thonë pasardhësve tanë: “Çfarë lidhje keni ju me Zotin, Perëndinë e Izraelit? Vetë Zoti e ka vënë Jordanin si kufi mes nesh e jush, o pasardhës të Rubenit e të Gadit. Ju s'keni pjesë me Zotin”. Kështu, pasardhësit tuaj mund t'i bëjnë pasardhësit tanë të mos e druajnë më Zotin. Prandaj edhe thamë të ndërtojmë një altar për veten tonë, jo për të kushtuar fli apo fli shkrumbimi, por që të jetë dëshmi për ne, për ju dhe për breznitë që do të vijnë pas nesh, se do t'i shërbejmë Zotit dhe se para tij do t'i kushtojmë flitë tona, flitë e shkrumbimit e të paqtimit. Kështu, pasardhësit tuaj nuk do t'u thonë nesër pasardhësve tanë se nuk kanë pjesë me Zotin. Nëse do të na thonë gjë neve apo breznive pas nesh, ne do të përgjigjemi: “Shihni trajtën e altarit të Zotit. Paraardhësit tanë nuk e ndërtuan për të kushtuar fli apo fli shkrumbimi, por që të jetë dëshmi për ne e për ju”. Larg qoftë të ngremë krye kundër Zotit e të largohemi prej tij duke ndërtuar një altar për të kushtuar fli shkrumbimi, drithi, apo ndonjë fli tjetër, përveçse në altarin e Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tendës së tij». Prifti Finehas, prijësit e bashkësisë dhe krerët e familjeve të Izraelit, që ishin me të, dëgjuan çfarë u thanë pasardhësit e Rubenit, Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut dhe mbetën të kënaqur. Atëherë prifti Finehas, biri i Eleazarit, u tha pasardhësve të Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut: «Tani e dimë mirë se Zoti është mes nesh, sepse nuk keni vepruar me pabesi kundër Zotit dhe i shpëtuat bijtë e Izraelit nga dora e Zotit ». Prifti Finehas, biri i Eleazarit, bashkë me prijësit, u larguan nga pasardhësit e Rubenit e të Gadit në tokën e Gileadit, u kthyen tek izraelitët në tokën e Kanaanit dhe u treguan gjithçka. Përgjigja u pëlqeu izraelitëve. Ata bekuan Perëndinë e bijve të Izraelit dhe nuk folën më për luftë kundër pasardhësve të Rubenit e të Gadit dhe për ta shkatërruar vendin ku jetonin. Pasardhësit e Rubenit e të Gadit e quajtën altarin «Dëshmitar», sepse ai altar ishte dëshmi për ta që Zoti ishte Perëndia i tyre. Shumë kohë pasi Zoti i kishte dhënë Izraelit paqe nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, Jozuehu, tashmë i plakur dhe i thyer në moshë, mblodhi të gjithë izraelitët, pleqtë, prijësit, gjykatësit, krerët e u tha: «Tashmë unë jam plak dhe i thyer në moshë. Ju keni parë me sytë tuaj gjithçka u bëri Zoti, Perëndia juaj, gjithë këtyre kombeve dhe si luftoi për ju. Shihni si ua ndava me short fiseve tuaja tokat e këtyre kombeve që kanë mbetur, por edhe të të gjitha kombeve që shfarosa, nga Jordani e deri në detin e Madh në perëndim. Zoti, Perëndia juaj, do t'i dëbojë para jush dhe do t'i shfarosë para syve tuaj, që ju ta zotëroni të gjithë vendin, siç ju ka thënë Zoti, Perëndia juaj. Tregohuni të fortë dhe mbani e zbatoni gjithçka është shkruar në librin e ligjit të Moisiut dhe mos u shmangni as djathtas e as majtas. Mos u përzieni me popujt që kanë mbetur ndër ju, mos i zini në gojë emrat e perëndive të tyre, mos u përbetoni në emër të tyre, mos u shërbeni e as mos u përkulni para tyre. Do t'i qëndroni besnikë Zotit, Perëndisë tuaj, siç keni bërë deri më sot. Zoti dëboi para syve tuaj kombe të mëdha e të fuqishme dhe askush nuk ka mundur t'ju bëjë dot ballë deri më sot. Një i vetëm prej jush u jep arratinë mijëra vetëve, sepse për ju lufton Zoti, Perëndia juaj, siç ju ka thënë ai vetë. Bëni, pra, shumë kujdes që ta doni Zotin, Perëndinë tuaj. Por nëse largoheni prej tij dhe jepeni pas këtyre kombeve që kanë mbetur ende mes jush, nëse martoheni me bijat e tyre dhe nëse hyni e dilni me ta, dijeni se Zoti, Perëndia juaj, nuk ka për t'i dëbuar këto kombe prej jush dhe ata kanë për t'u bërë lak e kurth për ju, fshikull për ijët tuaja dhe hala për sytë tuaj, derisa të zhdukeni nga kjo tokë e mrekullueshme, që ju dha Zoti, Perëndia juaj. Ja, unë sot po shkoj, siç shkon çdo gjë mbi tokë. Pranojeni me gjithë zemër e me gjithë shpirt se asnjë nga premtimet e mira që ju bëri Zoti, Perëndia juaj, nuk mbeti pa u përmbushur. Të gjitha ju janë plotësuar dhe nuk ka mbetur asgjë pa u përmbushur. Veçse, siç u përmbushën të gjitha premtimet e mira që ju bëri Zoti, Perëndia juaj, po ashtu Zoti mund të sjellë mbi ju çdo fatkeqësi, derisa t'ju shfarosë nga kjo tokë e mrekullueshme, që ju dha vetë Zoti, Perëndia juaj. Nëse shkelni besëlidhjen që ju ka urdhëruar Zoti, Perëndia juaj, dhe shkoni e u shërbeni perëndive të tjerë, duke u përkulur para tyre, atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush dhe ju do të shfaroseni shpejt prej kësaj toke të mrekullueshme që ju dha ai». Jozuehu i mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Shekem dhe i thirri pleqtë e Izraelit, prijësit, gjykatësit dhe krerët të paraqiteshin para Perëndisë. Atëherë Jozuehu i tha mbarë popullit: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Në kohët e shkuara paraardhësit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, jetonin përtej lumit të Eufratit dhe u shërbenin perëndive të tjerë. Por unë e mora Abrahamin nga përtej lumit dhe i priva nëpër tërë vendin e Kanaanit. Ia shtova pasardhësit dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Esaun. Esaut i dhashë për pronë malin e Seirit, ndërsa Jakobi dhe bijtë e tij shkuan në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun e Aronin, godita Egjiptin me mrekullitë që bëra atje dhe ju nxora prej andej. Kur dolën nga Egjipti, etërit tuaj mbërritën te deti i Kuq, por egjiptianët i ndoqën deri atje me karroca dhe me kuaj. Ata i thirrën për ndihmë Zotit dhe ai vuri terrin midis tyre dhe egjiptianëve. Pastaj hodhi mbi egjiptianët detin dhe deti i mbuloi. Ju e patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Mandej jetuat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Pastaj ju solla në tokën e amoritëve, që banonin përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve dhe i shfarosa para jush. Tokën e tyre e morët ju. Edhe Balaku, biri i Ciporit dhe mbreti i Moabit, doli të luftojë kundër Izraelit. Ai thirri Balaamin, birin e Beorit, që t'ju mallkonte. Por unë nuk desha ta dëgjoja Balaamin, prandaj ai ju bekoi dhe unë ju shpëtova prej dorës së tij. Si e kaluat Jordanin, mbërritët në Jeriko. Banorët e Jerikosë, amoritët, perizitët, kananitët, hititët, girgashitët, hivitët dhe jebusitët, luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve. Lëshova grerëzat para jush dhe me to dëbova nga ju dy mbretërit e amoritëve pa shpatën apo harkun tuaj. Ju dhashë një tokë që nuk e kishit punuar ju dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar ju, por ju banoni në to. Vreshtat dhe ullinjtë nuk i mbollët ju, por po hani prej tyre”. Tani, pra, druajeni Zotin dhe shërbejini atij me përsosmëri dhe me besnikëri. Hidhni tej perënditë që kanë adhuruar paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit të Eufratit e në Egjipt, dhe shërbejini Zotit. Nëse nuk ju duket gjë e mirë t'i shërbeni Zotit, atëherë vendosni sot se kujt doni t'i shërbeni, perëndive që u shërbyen paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit Eufrat, apo perëndive të amoritëve, në tokën e të cilëve banoni? Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t'i shërbejmë Zotit ». Atëherë populli u përgjigj e tha: «Larg qoftë të braktisim Zotin e t'u shërbejmë perëndive të tjerë. Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë dhe ai që bëri shenja të mëdha para syve tanë. Ai na ruajti gjatë gjithë udhës dhe na mbrojti nga të gjithë popujt, nëpër tokat e të cilëve kaluam. Ai i dëboi para nesh të gjithë popujt e në veçanti amoritët, që banojnë në këtë tokë. Prandaj, edhe ne do t'i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë». Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju nuk do të mund t'i shërbeni Zotit, sepse ai është Perëndi i shenjtë e xheloz, prandaj dhe nuk ka për t'i duruar paudhësitë dhe mëkatet tuaja. Nëse e braktisni Zotin e u shërbeni perëndive të huaj, ai do të kthehet kundër jush e do t'ju shfarosë, pas gjithë të mirave që ju ka bërë». Populli i tha Jozuehut: «Jo, ne do t'i shërbejmë Zotit ». Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju jeni vetë dëshmitarë se keni vendosur t'i shërbeni Zotit ». Ata iu përgjigjën: «Jemi dëshmitarë». Jozuehu u tha: «Atëherë, flakni tej të gjitha perënditë që janë mes jush dhe kthejini zemrat drejt Zotit, Perëndisë së Izraelit». Dhe populli i tha Jozuehut: « Zotit, Perëndisë tonë, do t'i shërbejmë dhe atë do të dëgjojmë». Atë ditë Jozuehu lidhi besën me popullin në Shekem dhe nxori rregulla e vendime, fjalët e të cilave i shënoi në librin e ligjit të Perëndisë. Pastaj mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit. Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ja, ky gur do të jetë dëshmi për ju, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët që na tha Zoti. Ky gur do të jetë dëshmi kundër jush, që të mos e mohoni Perëndinë tuaj». Pastaj Jozuehu i la të shkonin secili në pronën e vet. Pas këtyre ngjarjeve, Jozuehu, biri i Nunit dhe shërbëtori i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. E varrosën në tokën që kishte trashëguar, në Timnah Serah, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash. Izraeli i shërbeu Zotit për sa kohë qe gjallë Jozuehu e për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut, të cilët i dinin të gjitha veprat që kishte bërë Zoti për Izraelin. Eshtrat e Jozefit, që izraelitët i kishin sjellë me vete nga Egjipti, i varrosën në Shekem, në arën që Jakobi kishte blerë prej Hamorit, atit të Shekemit, për njëqind copa argjendi dhe që ishte pronë e pasardhësve të Jozefit. Edhe Eleazari, biri i Aronit, vdiq e u varros në Gibeah, në pronën që i ishte dhënë Finehasit, birit të tij, në krahinën malore të Efraimit. Pas vdekjes së Jozuehut, izraelitët e pyetën Zotin: «Kush nga ne duhet të dalë i pari në luftë kundër kananitëve?». Zoti iu përgjigj: «I pari do të dalë Juda. Ja, unë ia kam dorëzuar tokën». Fisi i Judës i tha fisit të Simeonit, vëllait të vet: «Dil me mua për të luftuar kundër kananitëve për pjesën time të trashëgimisë dhe pastaj do të dal edhe unë me ty për pjesën tënde». Fisi i Simeonit shkoi me të. Fisi i Judës doli për luftë dhe Zoti u dorëzoi kananitët dhe perizitët. Në Bezek ata vranë dhjetë mijë burra. Në Bezek gjetën Adonibezekun. E sulmuan dhe mposhtën kananitët e perizitët. Adonibezeku mori arratinë, por ata iu vunë pas, e kapën dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve. Atëherë Adonibezeku tha: «Shtatëdhjetë mbretërve ua preva gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve e ata mblidhnin thërrime nën tryezën time. Siç ua bëra unë atyre, po ma bën Perëndia mua». Pastaj e sollën në Jerusalem, ku edhe vdiq. Pasardhësit e Judës sulmuan Jerusalemin dhe e pushtuan. Banorët i vranë me shpatë, ndërsa qytetit i vunë flakën. Më pas ata sulmuan kananitët që banonin në malësi, në Negev dhe në ultësirë. Pastaj fisi i Judës sulmoi kananitët që banonin në Hebron, i cili më parë quhej Kirjat Arba. Aty mposhtën Sheshain, Ahimanin e Talmain. Mandej marshoi kundër banorëve të Debirit, i cili më parë quhej Kirjat Sefer. Atëherë Kalebi tha: «Atij që do të pushtojë Kirjat Seferin do t'i jap për grua time bijë, Aksahanë». Qytetin e pushtoi Otnieli, biri i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe Kalebi i dha për grua të bijën, Aksahanë. Kur ajo erdhi tek Otnieli, ai e nxiti që t'i kërkonte të atit një arë. Ndërsa zbriste nga gomari, Kalebi e pyeti: «Çfarë ke?». Ajo i tha: «Më jep një gjë si bekim. Më ke dhënë tokë në Negev, por dua të më japësh edhe ndonjë burim uji». Atëherë Kalebi i dha burimet e sipërme dhe burimet e poshtme. Pasardhësit e Keniut, vjehrrit të Moisiut, u larguan nga qyteti i Palmave bashkë me pasardhësit e Judës dhe shkuan të banonin me popullin në shkretëtirën e Judës, në Negev të Aradit. Fisi i Judës marshoi bashkë me fisin e Simeonit, vëllait të vet, dhe së bashku sulmuan kananitët që banonin në Cepat. Cepatin e shkatërruan plotësisht dhe e quajtën Hormah. Pastaj fisi i Judës pushtoi Gazën me rrethina, Ashkelonin me rrethina dhe Ekronin me rrethina. Zoti ishte me fisin e Judës dhe Juda e pushtoi malësinë, por banorët e ultësirës nuk mundi t'i dëbojë, sepse kishin qerre hekuri. Hebronin ia dhanë Kalebit, siç kishte thënë Moisiu, dhe Kalebi i dëboi të tre bijtë e Anakut. Pasardhësit e Benjaminit nuk mundën t'i dëbojnë jebusitët që banonin në Jerusalem, prandaj edhe jebusitët banojnë në Jerusalem bashkë me pasardhësit e Benjaminit edhe sot e kësaj dite. Pasardhësit e Jozefit shkuan në Betel dhe Zoti ishte me ta. Ata kishin dërguar më parë njerëz që ta përgjonin qytetin. Beteli quhej më parë Luz. Përgjuesit panë një njeri që po dilte nga qyteti e i thanë: «Ti na trego si të hyjmë në qytet e ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty». Atëherë u tregoi si të hynin në qytet dhe i vranë me shpatë banorët e qytetit. Atë e lanë të ikte me gjithë familjen e tij. Ai njeri shkoi në vendin e hititëve dhe ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Luz, emër që e mban edhe sot e kësaj dite. Fisi i Manaseut nuk mundi të dëbonte banorët e Bet Sheanit, Tanakut, Dorit, Ibleamit dhe Megidosë, si edhe të fshatrave përreth tyre, sepse kananitët ishin treguar të vendosur të banonin në atë vend. Kur izraelitët u bënë më të fortë, i kthyen kananitët në robër pune, por nuk i dëbuan plotësisht. Fisi i Efraimit nuk mundi t'i dëbonte kananitët që banonin në Gezer, prandaj dhe kananitët banojnë mes tyre në Gezer. Fisi i Zabulonit nuk mundi t'i dëbonte banorët e Kitronit dhe të Nahalolit. Kananitët banojnë mes tyre dhe u bënë robër pune. Fisi i Asherit nuk i dëboi dot banorët e Akosë, Sidonit, Ahlabit, Akzibit, Helbahut, Afikut dhe Rehobit, prandaj dhe, për shkak se nuk i dëboi dot, fisi i Asherit banon mes kananitëve, banorëve të asaj toke. Fisi i Neftaliut nuk i dëboi dot banorët e Bet Shemeshit dhe të Bet Anatit, por banoi mes kananitëve, banorëve të asaj toke. Banorët e Bet Shemeshit dhe të Bet Anatit u bënë robër pune për ta. Amoritët i shtynë pasardhësit e Danit nëpër male dhe nuk i lanë të zbrisnin në luginë. Ata ishin të vendosur për të banuar në malin Heres, në Ajalon dhe në Shalbim. Por, kur pasardhësit e Jozefit u bënë më të fuqishëm, i detyruan amoritët të punonin për ta. Kufiri i amoritëve shtrihej nga e përpjeta e Akrabimit, nga Selau e lart. Engjëlli i Zotit shkoi nga Gilgali në Bokim e tha: «Ju nxora nga Egjipti dhe ju solla në tokën që u premtova etërve tuaj. Ju kam thënë se nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju. Ju nuk duhej të bënit asnjë marrëveshje me banorët e kësaj toke dhe duhej të shkatërronit idhujt e tyre, por nuk më dëgjuat. Çfarë keni bërë? Ja tek po ju them se nuk do t'i dëboj para jush. Ata do të jenë si gjemba në ijët tuaja dhe perënditë e tyre do të bëhen lak për ju». Kur engjëlli i Zotit u tha këto fjalë izraelitëve, populli vuri kujën e vajtoi. Atë vend e quajtën Bokim dhe atje i kushtuan fli Zotit. Jozuehu e shpërndau popullin dhe izraelitët shkuan nëpër pronat e tyre për të marrë në trashëgim tokën. Populli i shërbeu Zotit për sa kohë qe gjallë Jozuehu dhe për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut e i dinin të gjitha veprat që kishte bërë Zoti për Izraelin. Jozuehu, biri i Nunit e shërbëtori i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. E varrosën në tokën që kishte për pronë në Timnah Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash. I gjithë ai brez vdiq dhe u bashkua me etërit e vet. Pas tyre erdhi një brez i ri, që nuk njihte as Zotin, as veprat që ai kishte bërë për Izraelin. Izraelitët bënë ligësi në sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalëve. Ata e braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe u dhanë pas perëndive të tjerë, pas perëndive të kombeve që kishin përreth. U përkulën para këtyre perëndive dhe ndezën zemërimin e Zotit. E braktisën Zotin e i shërbyen Baalit dhe Ashtarotës. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai i la në duart e kusarëve, që i plaçkitën dhe i shitën tek armiqtë që i rrethonin. Izraelitët nuk mundën t'u bëjnë ballë armiqve. Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte fatkeqësi, ashtu siç kishte thënë Zoti dhe ashtu siç u ishte përbetuar. Izraelitët ishin në mjerim të madh. Atëherë Zoti nxori gjyqtarë, që t'i shpëtonin nga dora e kusarëve. Ata nuk i dëgjuan as gjyqtarët, por kurvëruan me perëndi të tjerë dhe përkuleshin para tyre. Shumë shpejt e lanë udhën ku kishin ecur etërit e tyre, që i kishin mbajtur urdhërimet e Zotit, dhe nuk vepruan si ata. Kur Zoti u jepte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte nga dora e armiqve gjatë gjithë jetës së gjyqtarit. Zoti prekej nga rënkimet, shkaktuar nga ata që i shtypnin e i mundonin. Por, kur gjyqtari vdiste, ata kthenin sërish udhë dhe shthureshin më shumë se etërit e tyre, duke shkuar pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre. Nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga udha e tyre e mbrapshtë. Zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai tha: «Meqenëse ky komb e ka shkelur besëlidhjen që kisha bërë me etërit e tyre dhe nuk më është bindur, as unë nuk do të dëboj para tyre asnjë nga popujt, që la Jozuehu kur vdiq. Me anë të tyre do ta vë në provë Izraelin, që të shoh nëse do ta ruajnë apo jo udhën e Zotit, që të ecin nëpër të, ashtu siç bënë etërit e tyre». Kështu, Zoti i la këto kombe dhe nuk i dëboi shpejt e as nuk ia dorëzoi Jozuehut. Këto janë kombet që la Zoti për të vënë në provë Izraelin dhe të gjithë izraelitët, të cilët nuk i kishin përjetuar luftrat e Kanaanit, vetëm me qëllimin që të mësonin të luftonin breznitë e izraelitëve, që nuk e kishin provuar më parë luftën: pesë sunduesit e filistinëve, gjithë kananitët, sidonasit dhe hivitët, që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal Hermonit deri në Lebo Hamat. Ishin lënë që të vinin në provë Izraelin, për të parë nëse do t'u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre përmes Moisiut. Kështu, izraelitët jetuan mes kananitëve, hititëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve. Izraelitët morën për gra bijat e tyre, u dhanë për gra bijat e veta dhe u shërbyen perëndive të tyre. Izraelitët bënë ligësi në sytë e Zotit dhe e harruan Zotin, Perëndinë e tyre. Ata u shërbyen Baalëve dhe shtyllave të Asherasë. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre dhe ai i dorëzoi te Kushan Rishtaimit, mbreti i Aram Naharaimit. Izraelitët i shërbyen Kushan Rishtaimit për tetë vjet. Izraelitët thirrën në ndihmë Zotin dhe ai u dërgoi si shpëtimtar Otnielin, birin e Kenazit, vëllanë e vogël të Kalebit. Shpirti i Zotit ishte me të dhe ai u bë gjyqtar i Izraelit. Otnieli doli për të luftuar dhe Zoti i dorëzoi Kushan Rishtaimin, mbretin e Aramit. Otnieli ngadhënjeu mbi Kushan Rishtaimin. Vendi pati paqe për dyzet vjet. Pastaj Otnieli, biri i Kenazit, vdiq. Izraelitët filluan sërish të bënin ligësi në sytë e Zotit, prandaj dhe Zoti i dha forcë Eglonit, mbretit të Moabit, që t'i kundërvihej Izraelit, për shkak të ligësisë që kishte bërë në sytë e Zotit. Egloni mblodhi rreth vetes pasardhësit e Amonit dhe të Amalekut, sulmoi Izraelin, e mposhti dhe pushtoi qytetin e Palmave. Izraelitët i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet. Atëherë izraelitët thirrën në ndihmë Zotin dhe Zoti u dërgoi si shpëtimtar Ehudin, birin e Gerait, nga fisi i Benjaminit, që ishte mëngjarash. Izraelitët e dërguan t'i çonte tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, rreth gjysmë metri të gjatë, dhe e ngjeshi në ijën e djathtë nën rroba. Ehudi shkoi t'i japë tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i shëndoshë. Pasi i dhanë tagrat, Ehudi urdhëroi të largoheshin ata që kishin mbajtur tagrat. Kur mbërritën tek idhujt në Gilgal, Ehudi u kthye e i tha Eglonit: «Kam diçka për të të thënë në vesh, o mbret!». Mbreti dha urdhër që të mbahej qetësi dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë. Ehudi iu afrua mbretit, që rrinte ulur i vetëm në dhomën e sipërme e të freskët, e i tha: «Kam për të të thënë një fjalë nga Perëndia». Mbreti u ngrit nga froni. Atëherë Ehudi shtriu dorën e majtë, nxori shpatën nga ija e djathtë dhe ia nguli mbretit në bark. Shpata u fut me gjithë dorëz, derisa e mbuloi dhjami. Ehudi nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit dhe mbretit i dolën zorrët. Ehudi mbylli derën e dhomës së sipërme nga pas dhe i vuri shulin. Pastaj doli nga portiku. Pasi doli Ehudi, erdhën shërbëtorët e mbretit dhe panë se dyert e dhomës ishin të mbyllura me shul. Ata thanë: «Me siguri do të jetë duke kryer nevojat vetjake në dhomën e freskët». Pritën gjatë, por mbreti nuk po e hapte derën e dhomës së sipërme. Atëherë morën çelësin, hapën derën dhe panë zotërinë e tyre të shtrirë përtokë e të vdekur. Ndërsa ata prisnin, Ehudi kishte ikur. Ai kaloi vendin e idhujve dhe arriti në Sejrah. Me të mbërritur, i ra bririt të dashit në malin e Efraimit. Atëherë izraelitët zbritën nga mali bashkë me të e ai u printe. Ehudi u tha izraelitëve: «Ejani pas meje, sepse Zoti jua dorëzoi juve moabitët, armiqtë tuaj». Ata zbritën me të, zunë vaun e Jordanit, që të çon në Moab, dhe nuk lanë askënd të kalonte. Asokohe vranë rreth dhjetë mijë moabitë, të gjithë burra të fortë e trima. Asnjëri prej tyre nuk shpëtoi. Atë ditë Moabi iu nënshtrua Izraelit dhe vendi pati paqe për tetëdhjetë vjet. Pas Ehudit erdhi Shamgari, biri i Anatit. Ai vrau gjashtëqind burra filistinë me një hosten qesh dhe e shpëtoi Izraelin. Pas vdekjes së Ehudit, izraelitët filluan të bënin sërish ligësi në sytë e Zotit. Atëherë Zoti i dorëzoi te Jabini, mbreti i Kanaanit, që sundonte në Hacor. Komandant i ushtrisë së tij ishte Siseri. Ai banonte në Haroshet Gojim. Izraelitët thirrën në ndihmë Zotin, sepse Jabini zotëronte nëntëqind qerre hekuri dhe kishte njëzet vjet që i mbante shtypur me dhunë izraelitët. Asokohe gjyqtare në Izrael ishte një profeteshë, Debora, gruaja e Lapidotit. Ajo rrinte nën një palmë, që njihej si palma e Deborës dhe ndodhej midis Ramahut dhe Betelit, në malësinë e Efraimit. Izraelitët shkonin tek ajo për të kërkuar gjykimin e saj. Ajo dërgoi të thërrasin Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftaliut, e i tha: «Kështu të urdhëron Zoti, Perëndia i Izraelit: “Marsho drejt malit Tabor e merr me vete dhjetë mijë burra nga fisit i Neftaliut dhe nga fisi i Zabulonit. Do ta bëj Siserin, komandantin e ushtrisë së Jabinit, të vijë te ti në përroin e Kishonit, bashkë me qerret dhe trupat e tij, dhe do të ta dorëzoj”». Baraku iu përgjigj: «Do të shkoj po të vish edhe ti me mua. Po nuk erdhe ti, nuk kam për të shkuar». Debora i tha: «Do të vij me ty, por nderi për sulmin nuk do të të mbetet ty, sepse Zoti do ta dorëzojë Siserin në duart e një gruaje». Debora u ngrit e shkoi me Barakun në Kedesh. Baraku thirri fisin e Zabulonit dhe të Neftaliut në Kedesh e u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me ta shkoi edhe Debora. Pranë Kedeshit jetonte Heber Keniti. Ai ishte ndarë nga kenitët e tjerë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe e kishte ngritur tendën pranë Lisit të Cananimit. Siserit i thanë se Baraku, biri i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor. Atëherë Siseri mblodhi të nëntëqind qerret që kishte e të gjithë ushtrinë dhe marshoi nga Haroshet Gojimi në përroin e Kishonit. Debora i tha Barakut: «Ngrihu, sepse sot Zoti do të ta dorëzojë Siserin. Ja, vetë Zoti po marshon para teje». Baraku zbriti prej malit Tabor në krye të dhjetë mijë burrave. Atëherë Zoti e hutoi Siserin dhe e shpartalloi me shpatë ushtrinë dhe qerret e tij para syve të Barakut. Siseri zbriti nga qerrja dhe mori arratinë në këmbë. Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë e Siserit deri në Haroshet Gojim. E gjithë ushtria e Siserit u shfaros nga tehu i shpatës dhe nuk mbeti njeri gjallë. Ndërkohë Siseri kishte mbërritur në këmbë te tenda e Jaelës, gruas së Heber Kenitit. Jabini, mbreti i Hacorit, ishte në paqe me shtëpinë e Heber Kenitit. Jaela doli për të takuar Siserin e i tha: «Eja, hyr brenda, imzot! Eja, hyr brenda e mos ki frikë!». Siseri hyri në tendën e Jaelës dhe ajo i hodhi sipër një mbulojë. Siseri i tha Jaelës: «Më jep pak ujë për të pirë, sepse kam etje». Ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë. Pastaj e mbuloi. Siseri i tha: «Qëndro te hyrja e tendës dhe po të të pyesë kush në ka njeri brenda, thuaji “jo”». Siserin e zuri një gjumë i thellë. Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj tende dhe një çekiç, u afrua pa bërë zë dhe ia nguli kunjin në tëmth. Kunji u ngul deri në tokë dhe Siseri vdiq. Atë çast mbërriti Baraku, që ishte vënë në ndjekje të Siserit. Jaela doli për ta takuar e i tha: «Eja të të tregoj njeriun që kërkon». Baraku hyri në tendë dhe pa Siserin tek dergjej i vdekur me kunjin të ngulur në tëmth. Atë ditë Perëndia e poshtëroi Jabinin, mbretin e Kanaanit, para izraelitëve. Izraelitët u bënë gjithnjë e më të fortë përballë Jabinit, mbretit të Kanaanit, derisa e shkatërruan plotësisht. Atë ditë Debora dhe Baraku, biri i Abinoamit, kënduan këtë këngë: «Kur krelat nuk priten në Izrael, kur populli kushtohet me gjithë shpirt, bekojeni Zotin. Dëgjoni, o mbretër, mbani vesh, o prijës! Unë do t'i këndoj Zotit, do t'i thur himne Zotit, Perëndisë së Izraelit. O Zot, kur dole prej Seirit, kur marshove prej fushës së Edomit, u trondit toka, pikuan qiejt, retë rrëke ujërash derdhën. Para Zotit të Sinait u drodhën malet, para Zotit, Perëndisë së Izraelit. Në ditët e Shamgarit, birit të Anatit, në ditët e Jaelës, të shkreta mbetën udhët, kalimtarët shkuan shtigjeve gjarpëruese. Mungonin bujqit në Izrael, mungonin, derisa dola unë, Debora, derisa dola unë, nënë e Izraelit! Zgjodhën perëndi të reja, e lufta u erdhi te dera! Shqyt nuk u pa kurrkund, as shtizë, ndër dyzet mijë burrat e Izraelit. Zemra ime është me prijësit e Izraelit, me popullin që u kushtua me gjithë shpirt. Bekojeni Zotin! Ju që kalëroni mbi gomarica të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima, ju që shkoni udhës, kumtojeni! Nga zëri i atyre që ndajnë ujin lugjeve, shpallen veprat e drejta të Zotit, veprat e tij të drejta për bujqit e Izraelit, teksa populli i Zotit zbret te portat e qytetit. Ngrihu, o Deborë, ngrihu! Ngrihu e merrja këngës! Çohu, o Barak, o biri i Abinoamit, e robëruesit robër bëji. E kush kishte mbetur u bashkua me fisnikët, tek unë populli i Zotit erdhi, atje mes të fortëve. Prej Efraimit erdhën ata, që rrënjët në Amalek i kishin, pas teje Benjamini u bashkua me popullin tënd, prej Makirit zbritën prijësit, prej Zabulonit marshuan luftëtarët, që skeptrin mbanin. Prijësit e Isaharit erdhën me Deborën, ashtu si Baraku, edhe Isahari nxitonte pas tij mes përmes luginës. Mes njësive të Rubenit vendosnin me gjithë zemër. Përse u ndale nëpër zjarret e staneve? Për të dëgjuar fyellin tek thërriste tufat? Mes njësive të Rubenit hetonin me gjithë zemër. Gileadi përtej Jordanit pushonte, po Dani, përse nëpër anije endet? Asheri banonte brigjeve të detit e porteve të tij mbeti. Zabuloni një popull, që jetën në rrezik vuri, Neftaliun nëpër rrafshnalta, vdekja nuk e trembi. Erdhën mbretërit në betejë, mbretërit e Kanaanit luftuan në Tanak, pranë ujërave të Megidosë, e plaçkë argjendi me vete s'morën. Prej qiellit luftuan edhe yjet, prej orbitave të veta u ndeshën me Siserin. I përlau përroi i Kishonit, përrua i lashtë përroi i Kishonit. Marsho tërë forcë, o shpirti im! Trokëllitën thundrat e kuajve nga vrapimi i vrullshëm i kalorësve trima. “Mallkojeni Merozin”, tha engjëlli i Zotit, “mallkojini, mallkojini banorët e tij, se nuk i erdhën në ndihmë Zotit, në ndihmë Zotit dhe trimave të tij”. Bekuar qoftë ndër gratë Jaela, gruaja e Heber Kenitit! Ndër gratë, që në tenda banojnë, e bekuar qoftë! Ujë i kërkoi e ajo qumësht i dha, në një kupë princash ajkë i solli. Dora e saj kunjin kapi, e djathta çekiçin rrëmbeu, Siserin goditi, kafkën ia çau, tëmthat tejpërtej ia shpoi. Te këmbët e saj u plandos, ra e u shtri përtokë, te këmbët e saj u plandos e u dergj, atje u këput, aty i vdekur ra. Nga dritarja vrojtonte nëna e Siserit, nga hekurat e dritares thërriste: “Përse vonon të kthehet qerrja jote? Përse kaq e ngadaltë trokëllima e thundrave?”. I përgjigjen princeshat e saj fisnike, por ajo sërish me vete thotë: “Kanë gjetur plaçkë e mes tyre po e ndajnë, nga një a dy vajza për çdo luftëtar, plaçkë lufte tërë ngjyra për Siserin, plaçkë tërë ngjyra qëndisur, tërë ngjyra qëndisur për shpatullat e plaçkitësit”. Kështu le të shfarosen të gjithë armiqtë e tu, o Zot, e ata që të duan, të fortë si dielli qofshin!». Vendi pati paqe për dyzet vjet. Izraelitët bënë sërish çka është keq në sytë e Zotit dhe Zoti i dorëzoi te midianitët për shtatë vjet. Sundimi i midianitëve mbi Izraelin sa vinte e bëhej më i ashpër. Nga frika e tyre, izraelitët u strukën nëpër guva, shpella e fortesa malesh. Kur izraelitët mbillnin arat, vinin midianitët, amalekitët e popuj të tjerë të lindjes, ngrinin fushimin në tokat e tyre dhe i shkatërronin të gjitha prodhimet bujqësore deri në hyrje të Gazës, duke i lënë izraelitët pa ushqim, pa dele, pa lopë e pa gomarë. Vinin me gjithë bagëti dhe kishin aq shumë tenda, sa ngjanin me karkaleca. Ishin aq të shumtë dhe kishin aq shumë deve, sa nuk i numëroje dot. E zinin tokën dhe e shkatërronin. Izraeli ra në mjerim të thellë për shkak të midianitëve, prandaj izraelitët thirrën në ndihmë Zotin. Izraelitët thirrën në ndihmë Zotin për shkak të midianitëve dhe Zoti u dërgoi një profet, i cili u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë. Ju çlirova nga dora e egjiptianëve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin. I dëbova para jush dhe ju dhashë tokën e tyre. Ju thashë se unë jam Zoti, Perëndia juaj dhe të mos i druani perënditë e amoritëve, në tokën e të cilëve banoni, por ju nuk më dëgjuat”». Engjëlli i Zotit erdhi në Ofrah dhe u ul nën lisin e Joashit që ishte nga klani i Abiezerit. Gideoni, biri i Joashit, po pastronte grurin dhe po e fshihte në tork, për ta shpëtuar nga midianitët. Atëherë engjëlli i Zotit iu shfaq e i tha: « Zoti qoftë me ty, o luftëtar trim!». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, imzot, por nëse Zoti është me ne, përse na ndodhën të gjitha këto? Ku janë gjithë ato mrekulli, për të cilat na kanë folur etërit tanë, kur na thoshin se Zoti na ka nxjerrë nga Egjipti? E, pra, tani Zoti na ka braktisur e na ka dorëzuar te midianitët». Atëherë Zoti u kthye nga ai e i tha: «I fortë siç je, shko e çliroje Izraelin nga zgjedha e midianitëve. Po të dërgoj unë». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, Zoti im, por si do ta çliruakam unë Izraelin? Familja ime është familja më e dobët e Manaseut dhe unë jam më i vogli i shtëpisë së tim eti». Zoti i tha: «Do të jem unë me ty. Ke për t'i mposhtur midianitët si të ishin një njeri i vetëm». Atëherë Gideoni i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, më jep një shenjë se je ti që po flet me mua. Mos u largo prej këndej derisa të kthehem e të të vë përpara një fli kushtimi». Ai i tha: «Po të pres derisa të kthehesh». Gideoni shkoi e përgatiti një kec e disa kuleç të ndormë me tridhjetë kilogramë miell. Mishin e vuri në një shportë, ndërsa lëngun e mishit në një poçe balte dhe ia solli e ia shtroi përpara nën lis. Atëherë engjëlli i Perëndisë i tha: «Merre mishin dhe kuleçtë e ndormë, vëri mbi atë shkëmb e derdh mbi ta lëngun e mishit». Gideoni bëri si i tha. Pastaj engjëlli i Zotit shtriu shkopin që mbante në dorë dhe me majën e tij preku mishin dhe kuleçtë e ndormë. Nga shkëmbi doli zjarr, që e përpiu mishin me gjithë kuleçtë e ndormë. Atëherë engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e Gideonit. Gideoni kuptoi se kishte qenë engjëlli i Zotit e tha: «Mjerë unë, o Zot, Zoti im! Pashë engjëllin e Zotit ballë për ballë». Zoti i tha: «Paqja qoftë me ty! Mos ki frikë, s'ke për të vdekur». Gideoni ndërtoi atje një altar për Zotin dhe e quajti «Zoti është paqe». Ky altar gjendet edhe sot e kësaj dite në Ofrah të abiezeritëve. Po atë natë, Zoti i tha: «Merr demin e tyt eti dhe një dem tjetër shtatë vjeçar. Shkatërro altarin e Baalit që ka ngritur yt atë dhe copëtoje shtyllën e Asherasë që është pranë altarit. Pastaj, po në majë të atij shkëmbi, ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd. Merr mandej demin e dytë dhe kushtoje si fli shkrumbimi me drutë e shtyllës së Asherasë që do të kesh copëtuar». Gideoni mori dhjetë nga shërbëtorët e tij e bëri siç i tha Zoti. Nga frika e familjes së tij dhe e banorëve të qytetit, nuk e bëri ditën, por natën. Kur njerëzit e qytetit u ngritën të nesërmen në mëngjes, panë altarin e Baalit të shkatërruar, shtyllën e Asherasë pranë tij të copëtuar dhe demin e dytë të kushtuar mbi altarin e rindërtuar. Atëherë filluan t'i thonë njëri-tjetrit: «Kush e ka bërë këtë?». Hetuan e pyetën për këtë çështje e u thanë se e kishte bërë Gideoni, biri i Joashit. Burrat e qytetit i thanë Joashit: «Nxirre djalin jashtë që ta vrasim, se ka shkatërruar altarin e Baalit dhe ka prerë shtyllën e Asherasë që ishte pranë altarit». Joashi u tha të gjithë atyre që e kishin rrethuar: «Juve ju takuaka të mbroni e të shpëtoni Baalin? Ai që do të mbrojë Baalin, do të vdesë deri nesër në mëngjes. Nëse Baali na qenka perëndi, atëherë le të mbrohet vetë nga ai që ia prishi altarin». Që prej asaj dite Gideoni u quajt Jerubaal, që do të thotë «Baali le të mbrohet vetë», sepse i kishte prishur altarin. Të gjithë midianitët, amalekitët dhe popujt e lindjes u mblodhën bashkë, kaluan Jordanin dhe fushuan në luginën e Izrelit. Atëherë shpirti i Zotit e mbuloi Gideonin dhe ai i ra bririt të dashit për të thirrur abiezeritët që t'i shkonin pas. Dërgoi lajmëtarë në mbarë Manaseun dhe i thirri pasardhësit e Manaseut që t'i shkonin pas. Dërgoi lajmëtarë edhe në Asher, në Zabulon dhe në Neftali dhe ata shkuan e u bashkuan me të. Atëherë Gideoni i tha Perëndisë: «Nëse do ta shpëtosh Izraelin përmes dorës sime, sikurse the, do të vë një shtëllungë leshi në lëmë. Po të ketë vesë vetëm mbi shtëllungën e leshit, ndërkohë që gjithë vendi përreth shtëllungës mbetet i thatë, atëherë do ta di se do ta shpëtosh me të vërtetë Izraelin përmes dorës sime». Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen Gideoni u ngrit herët, shtrydhi shtëllungën e leshit dhe prej saj doli një kupë ujë. Dhe Gideoni i tha Perëndisë: «Mos u zemëro me mua, por do të flas edhe një herë. Më lejo ta bëj edhe një herë provën e shtëllungës. Këtë herë, të lutem, le të jetë e thatë shtëllunga e leshit, ndërsa vendi përreth saj le të laget nga vesa». Dhe ashtu bëri Perëndia. Atë natë ra vesë mbi mbarë vendin, por shtëllunga e leshit mbeti e thatë. Jerubaali, domethënë Gideoni, dhe gjithë populli që ishte me të, u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit, ndërsa midianitët kishin fushuar në luginën që ndodhej në veri të kodrës së Morehut. Atëherë Zoti i tha Gideonit: «Ke marrë tepër popull me vete, që t'u dorëzoj midianitët. Izraeli mund të mburret pastaj e të thotë: “U çlirova me forcat e mia”. Prandaj do të bësh këtë shpallje para popullit: “Kush dridhet nga frika, le të kthehet pas e të largohet nga mali i Gileadit”». U kthyen njëzet e dy mijë vetë dhe mbetën dhjetë mijë. Dhe Zoti i tha Gideonit: «Prapë ka shumë popull. Zbriti poshtë tek uji dhe aty do t'i vë në provë. Me ty ka për të ardhur ai që do të të them unë, ndërsa ai për të cilin do të të them të mos vijë me ty, nuk ka për të ardhur». Gideoni e zbriti popullin tek uji dhe Zoti i tha: «Të gjithë ata që do të pinë ujë me gjuhë, siç lëpijnë qentë, do t'i ndash nga ata që do të pinë duke u ulur në gjunjë». Numri i atyre që e lëpinë ujin nga grushti ishte treqind veta. Të gjithë të tjerët pinë duke u ulur në gjunjë. Zoti i tha Gideonit: «Me treqind burrat që e lëpinë ujin nga grushti, do t'ju çliroj dhe do t'jua dorëzoj midianitët. Të gjithë të tjerët lëri të shkojnë në shtëpi». Ata mblodhën ushqimet dhe boritë e popullit, ndërsa të gjithë izraelitët e tjerë Gideoni i nisi të ktheheshin nëpër tendat e veta. Me vete mbajti vetëm treqind burrat. Fushimi i midianitëve ishte poshtë tyre, në luginë. Atë natë Zoti i tha Gideonit: «Ngrihu e zbrit në fushimin e midianitëve, sepse t'i kam dorëzuar ty. Po të kesh frikë të zbresësh vetëm, le të zbresë me ty edhe Purahu, shërbëtori yt. Kur të dëgjosh për çfarë flasin, do të të forcohen duart dhe do ta sulmosh fushimin». Gideoni zbriti bashkë me Purahun, shërbëtorin e tij, deri në pararojën e fushimit. Midianitët, amalekitët dhe popujt e tjerë të lindjes ishin shpërndarë në tërë luginën, si një turmë e madhe karkalecash. Edhe devetë e tyre ishin të panumërta, si rëra brigjeve të detit. Kur mbërriti Gideoni, një ushtar po i tregonte shokut të vet një ëndërr, duke i thënë: «Pashë në ëndërr një bukë elbi të pjekur që rrokullisej drejt fushimit të midianitëve. Erdhi e goditi një tendë. Tenda ra e u kthye përmbys». Shoku iu përgjigj: «Kjo nuk është veçse shpata e Gideonit, birit të Joashit, izraelitit. Perëndia ia ka dorëzuar atij midianitët dhe gjithë fushimin». Kur Gideoni dëgjoi ëndrrën dhe shpjegimin e saj, u përkul deri në tokë dhe u kthye në fushimin e Izraelit dhe urdhëroi: «Ngrihuni, sepse Perëndia na i ka dorëzuar midianitët dhe fushimin e tyre». Treqind burrat i ndau në tre grupe dhe u dha të gjithëve nga një bori dhe nga një poç të zbrazët me një pishtar brenda. Pastaj u tha: Shihni nga unë dhe veproni si unë. «Kur të kem mbërritur në kufijtë e fushimit, do të veproni si unë. Kur t'i bie borisë unë dhe të gjithë ata që do të jenë me mua, do t'u bini borive edhe ju rreth e qark fushimit dhe do të thoni: “Për Zotin dhe për Gideonin”». Gideoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në kufijtë e fushimit aty nga mesnata, fill pas ndërrimit të rojave. U ranë borive dhe thyen poçet që mbanin në dorë. Atëherë të tre grupet u ranë borive, thyen poçet, duke mbajtur në dorën e majtë pishtarët e në të djathtën boritë, dhe bërtitën: «Shpatë për Zotin dhe për Gideonin!». Secili prej tyre qëndroi në vendin e vet rreth fushimit. Të gjithë brenda fushimit filluan të vrapojnë me ulërima dhe morën arratinë. Teksa treqind burrat u binin borive, Zoti i bëri midianitët të ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit. I gjithë fushimi mori arratinë për në Bet Shitah në drejtim të Cererahut, deri në kufijtë e Abel Meholahut, pranë Tabatit. Atëherë izraelitët e fisit të Neftaliut, Asherit dhe gjithë Manaseut u thirrën për t'u rënë pas midianitëve. Gideoni dërgoi lajmëtarë edhe në gjithë malësinë e Efraimit për t'u thënë: «Zbrisni për t'u ndeshur me midianitët dhe shtini në dorë vaun e Jordanit deri në Bet Barah». U mblodhën tërë burrat e Efraimit dhe zunë tërë vaun e Jordanit deri në Bet Barah. Kapën robër edhe dy nga princat e Midianit, Orebin e Zebin. Orebin e vranë te Shkëmbi i Orebit, ndërsa Zebin te Gryka e Zebit. Kokat e Orebit dhe Zebit ia çuan Gideonit në anën tjetër të Jordanit. Burrat e Efraimit i thanë Gideonit: «Ç'na bëre! Përse nuk na thirre edhe ne kur shkove për të luftuar kundër midianitëve?». Dhe u grindën keq me të. Ai u tha: «E ç'paskam bërë unë në krahasim me ju? A nuk është qëmtimi i Efraimit më i mirë se vjelja e Abiezerit? Perëndia jua dorëzoi juve Orebin dhe Zebin, princat e Midianit. E ç'bëra unë në krahasim me ju?». Kur u tha këto fjalë, zemërimi i tyre ndaj tij u fashit. Gideoni mbërriti në Jordan dhe bashkë me treqind burrat që ishin me të, kaloi në bregun tjetër. Megjithëse të lodhur, ata vazhduan të ndiqnin armikun. Atëherë ai u tha banorëve të Sukotit: «Ju lutem, jepuni bukë burrave që më shoqërojnë, se janë këputur nga lodhja. Unë po ndjek Zebahun dhe Calmunaun, mbretërit e Midianit». Krerët e Sukotit iu përgjigjën: «Mos e ke shtënë gjë në dorë Zebahun dhe Calmunaun, që t'i japim bukë ushtrisë tënde?». Gideoni u tha: «Për këtë që thatë, kur Zoti të m'i ketë dorëzuar Zebahun dhe Calmunaun, do t'jua bëj copë mishin me murrizat dhe ferrat e shkretëtirës». Prej aty, Gideoni u ngjit në Penuel dhe u kërkoi të njëjtën gjë, por edhe banorët e Penuelit iu përgjigjën si banorët e Sukotit. Atëherë Gideoni u tha edhe banorëve të Penuelit: «Kur të jem kthyer shëndoshë e mirë, do ta rrënoj këtë kullë». Ndërkohë Zebahu dhe Calmunau ishin në Karkor me mbarë ushtrinë e tyre. Nga gjithë ushtria e popujve të lindjes kishin mbetur rreth pesëmbëdhjetë mijë burra, ndërsa njëqind e njëzet mijë luftëtarë kishin rënë në luftë. Gideoni u ngjit udhës së endacakëve që banonin nëpër tenda, në lindje të Nobahut dhe Jogbehahut, dhe sulmoi fushimin e armikut, ndonëse fushimi ishte i mbrojtur mirë. Zebahu dhe Calmunau morën arratinë, por Gideoni i ndoqi pas. I kapi që të dy mbretërit e Midianit, Zebahun e Calmunaun, dhe e shpartalloi mbarë ushtrinë e tyre. Kur Gideoni, biri i Joashit, po kthehej nga lufta nëpër të përpjetën e Heresit, kapi një djalosh nga Sukoti dhe e mori në pyetje. Djaloshi i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukotit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra. Gideoni shkoi te banorët e Sukotit e u tha: «Ja ku i keni Zebahun e Calmunaun, për të cilët u tallët me mua kur më thatë: “Mos e ke shtënë gjë në dorë Zebahun e Calmunaun, që t'i japim bukë ushtrisë sate?”». Pastaj i mori pleqtë e qytetit dhe u dha një mësim të mirë burrave të Sukotit, duke i torturuar pleqtë me murrizat dhe me ferrat e shkretëtirës. Ai rrënoi edhe kullën e Penuelit dhe banorët e qytetit i vrau. Gideoni i tha Zebahut dhe Calmunaut: «Si ishin burrat që vratë në Tabor?». Ata i thanë: «Ishin si ti. Secili prej tyre kishte pamjen e një biri mbreti». Gideoni u tha: «Ata ishin vëllezërit e mi, bijtë e nënës sime. Për Zotin, po t'i kishit lënë gjallë, nuk do t'ju vrisja». Pastaj i tha Jetrit, djalit të tij të madh: «Ngrihu e vriti!». Por Jetri nuk e nxori shpatën, se kishte frikë, ngaqë ishte ende i vogël. Atëherë Zebahu dhe Calmunau i thanë Gideonit: «Ngrihu ti vetë e na godit, sepse i takon një burri të fortë ta bëjë». Gideoni u ngrit, e vrau Zebahun dhe Calmunaun dhe mori varëset që mbanin devetë e tyre në qafë. Izraelitët i thanë Gideonit: «Bëhu sundimtari ynë, ti dhe biri yt, sepse na shpëtove nga dora e midianitëve». Gideoni u tha: «As unë e as biri im nuk do të bëhemi sundimtarët tuaj, sepse sundimtari juaj është Zoti ». E u tha: «Prej jush kërkoj vetëm një gjë, që secili prej jush të më japë nga një vath prej plaçkës së vet». Midianitët mbanin vathë ari, sepse ishin ishmaelitë. Ata i thanë: «Po t'i japim me kënaqësi». Shtrinë një shtrojë përtokë dhe secili i dha nga një vath prej plaçkës së vet. Pesha e vathëve që kërkoi Gideoni ishte rreth njëzet kilogramë ar, përveç stolive, varëseve dhe veshjeve të purpurta që kishin mbajtur mbretërit e Midianit dhe përveç varëseve që mbanin devetë e tyre në qafë. Gideoni bëri me to një efod dhe e vendosi në qytetin e tij, në Ofrah. I gjithë Izraeli kurvëroi kundër Zotit për shkak të efodit, i cili u bë kurth për Gideonin dhe për shtëpinë e tij. Midianitët iu nënshtruan izraelitëve dhe nuk e ngritën më kokën lart. Vendi pati paqe për dyzet vjet, gjatë gjithë jetës së Gideonit. Jerubaali, biri i Joashit, u kthye për të jetuar në shtëpinë e vet. Gideoni pati shtatëdhjetë bij të gjakut të tij, sepse kishte pasur shumë gra. Shemra që kishte në Shekem i lindi një djalë që e quajti Abimelek. Gideoni, biri i Joashit, vdiq në moshë të thyer dhe u varros në varrin e Joashit, atit të tij, në Ofrah të abiezeritëve. Pas vdekjes së Gideonit, izraelitët filluan të kurvëronin me Baalin dhe zgjodhën për perëndi të tyre Baal Beritin. Izraelitët nuk u kujtuan më për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte shpëtuar nga dora e të gjithë armiqve që i rrethonin, dhe nuk u treguan mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit, domethënë Gideonit, për gjithë të mirat që i kishte bërë Izraelit. Abimeleku, biri i Jerubaalit, shkoi në Shekem te vëllezërit e nënës së tij, foli me ta dhe me gjithë familjet e klanit të atit të tij e u tha: «Bisedoni me të gjithë fisnikët e Shekemit e i pyesni: “Ç'është më mirë për ju? T'ju sundojnë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit apo t'ju sundojë vetëm njëri?”. Mos harroni se unë jam mishi e gjaku juaj». Vëllezërit e nënës së tij ua thanë këto fjalë të gjithë fisnikëve të Shekemit dhe Abimeleku u hyri në zemër, sepse thoshin: «Është vëllai ynë». Ata i dhanë Abimelekut shtatëdhjetë monedha argjendi nga tempulli i Baal Beritit e ai pagoi me to disa njerëz të ulët e të pafytyrë që i shkuan pas. Pastaj shkoi në shtëpinë e të atit në Ofrah dhe vrau vëllezërit e vet, shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit, mbi të njëjtin gur. Shpëtoi vetëm Jotami, djali i vogël i Jerubaalit, sepse u fsheh. Fisnikët e Shekemit dhe të gjithë banorët e Bet Milosë u mblodhën te lisi i shtyllës së Shekemit dhe e shpallën Abimelekun mbret. Kur e njoftuan Jotamin për këtë, ai shkoi e u ngjit në majë të malit të Gerizimit, ngriti zërin e tha: «Më dëgjoni ju, o zotërit e Shekemit, që Perëndia t'ju dëgjojë: u nisën dikur pemët një mbret për të vajosur e i thanë ullirit: “Bëhu mbreti ynë”. Ulliri iu përgjigj: “Të heq dorë nga vaji, që zotër e njerëz nderon, e mbi pemë të valëvitem?”. I thanë pemët fikut: “Bëhu ti mbreti ynë”. E fiku u tha atyre: “Të lë ëmbëlsinë, prodhimin tim të këndshëm, e mbi pemë të valëvitem?”. I thanë pemët hardhisë: “Bëhu ti mbreti ynë”. E hardhia u tha: “Të lë verën, që zotër e njerëz gëzon, e mbi pemë të valëvitem?”. Tërë pemët i thanë ferrës: “Eja ti e bëhu mbreti ynë”. E ferra u tha pemëve: “Nëse vërtet më bëni mbretin tuaj, ejani e zini strehë nën hijen time. Në mos, zjarri daltë prej ferrës e përpiftë cedrat e Libanit!”». Jotami u tha: «Mos vallë vepruat drejt e me ndershmëri kur shpallët mbret Abimelekun? A u sollët mirë me Jerubaalin dhe shtëpinë e tij? A ia shpërblyet të mirat që ju bëri? Ati im luftoi për ju dhe e vuri jetën e tij në rrezik, që t'ju shpëtonte nga zgjedha e midianitëve. Sot ju ngritët krye kundër shtëpisë së atit tim, vratë të gjithë bijtë e tij, shtatëdhjetë burra mbi një gur të vetëm dhe shpallët për mbret Abimelekun, të birin e shemrës, ngaqë është vëllai juaj. Nëse sot keni vepruar drejt e me ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, e gëzofshi Abimelekun dhe ai ju gëzoftë juve! Por nëse nuk është ashtu, zjarri daltë nga Abimeleku e i djegtë të gjithë fisnikët e Shekemit dhe të Bet Milosë! Zjarri daltë edhe nga fisnikët e Shekemit dhe të Bet Milosë dhe e djegtë Abimelekun!». Pastaj Jotami mori arratinë, shkoi me nxitim në Beer e banoi aty, për shkak të Abimelekut, vëllait të tij. Abimeleku sundoi mbi Izraelin për tre vjet. Perëndia dërgoi një shpirt të lig ndasie midis Abimelekut dhe fisnikëve të Shekemit dhe fisnikët e Shekemit e tradhtuan Abimelekun. Kështu, dhuna e ushtruar ndaj shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit dhe gjaku i tyre do të binte mbi Abimelekun, vëllanë e tyre, që i vrau, dhe mbi fisnikët e Shekemit, që e ndihmuan t'i vriste. Fisnikët e Shekemit ngritën prita nëpër majat e maleve për të plaçkitur të gjithë ata që kalonin atyre udhëve. Këtë e mori vesh edhe Abimeleku. Gaali, biri i Ebedit, erdhi në Shekem e u vendos aty bashkë me vëllezërit. Fisnikët e Shekemit patën besim tek ai. Ata dolën nëpër ara, volën rrushin nga vreshtat e tyre, e shtrydhën dhe bënë festë. Pastaj shkuan në shtëpinë e perëndive të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun. Gaali, biri i Ebedit, tha: «Çfarë na qenka Abimeleku për Shekemin, që t'i shërbejmë atij? A nuk është ai biri i Jerubaalit? A nuk është Zebuli mëkëmbës i tij? Më mirë t'u shërbejmë burrave të Hamorit, atit të Shekemit. E përse u dashka t'i shërbejmë atij njeriu? Po të kishte besim tek unë ky popull, do ta kisha hequr qafe Abimelekun e do t'i thosha: “Mblidh sa më shumë ushtri e dil për luftë!”». Zebuli, qeveritari i qyteti, i dëgjoi fjalët e Gaalit, birit të Ebedit, dhe u ndez nga zemërimi. I dërgoi lajmëtarë Abimelekut në Tormah që t'i thoshin: «Gaali, biri i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Shekem dhe po nxisin qytetin kundër teje. Prandaj, ngrihu qëmenatë bashkë me luftëtarët që ke me vete e zër pritë në fushë. Në mëngjes, kur të lindë dielli, sulmoje qytetit dhe kur Gaali me burrat e tij të dalin për sulm, bëj çfarë të mundesh kundër tij». Abimeleku dhe të gjithë burrat që ishin me të u ngritën natën dhe zunë pritë pranë Shekemit, të ndarë në katër grupe. Kur Gaali, biri i Ebedit, doli e qëndroi te porta e qytetit, Abimeleku dhe burrat që ishin me të dolën nga prita. Gaali i pa e i tha Zebulit: «Shiko, disa njerëz po zbresin nga majat e maleve». Zebuli i tha: «Është hija e maleve dhe të duket sikur janë njerëz». Por Gaali tha përsëri: «Shiko! Janë njerëz ata që po zbresin nga lartësia në mes të vendit dhe një grup tjetër po zbret udhës së Lisit të Shortarëve». Zebuli i tha: «Ku i ke tani fjalët e mëdha që thoshe: “Kush qenka Abimeleku që t'i shërbejmë atij?”. Ky është populli që ti përçmove. Dil, pra, tani e lufto kundër tij». Atëherë Gaali doli në krye të fisnikëve të Shekemit dhe luftoi kundër Abimelekut. Por Abimeleku e theu Gaalin, i cili mori arratinë para tij. Shumë u plagosën për vdekje derisa arritën te portat e qytetit. Abimeleku u vendos në Arumah, ndërsa Zebuli e dëboi Gaalin me gjithë vëllezërit e tij dhe nuk i la të banonin më në Shekem. Të nesërmen populli i Shekemit doli nëpër ara dhe për këtë njoftuan Abimelekun. Ai mori luftëtarët e vet, i ndau në tre grupe e i vuri të zënë pusi në arë. Kur pa popullin që po dilte nga qyteti, i sulmoi dhe i vrau. Abimeleku me grupin e vet të luftëtarëve u hodhën në sulm dhe rrethuan portat e qytetit. Dy grupet e tjerë sulmuan të gjithë ata që ishin nëpër ara e i vranë. Abimeleku e sulmoi qytetin gjatë gjithë ditës, e pushtoi dhe i vrau banorët e tij. Pastaj e rrafshoi dhe i hodhi kripë. Fisnikët e Kullës së Shekemit e morën vesh dhe shkuan në qilarin e tempullit të El Beritit. Kur e njoftuan Abimelekun se të gjithë fisnikët e Kullës së Shekemit ishin mbledhur aty, ai u ngjit në malin Calmon me gjithë luftëtarët e tij dhe preu një degë peme me sëpatë. E mori degën dhe e vuri mbi shpatulla. Pastaj u tha edhe burrave që ishin me të: «Shpejt, bëni siç bëra unë». Të gjithë luftëtarët prenë nga një degë dhe shkuan pas Abimelekut. I hodhën degët mbi qilar dhe i vunë flakën. Të gjithë banorët e Kullës së Shekemit vdiqën nga flakët. Ishin rreth një mijë burra e gra. Mandej Abimeleku shkoi në Tebec, e rrethoi dhe e pushtoi. Në mes të qytetit gjendej një kullë e fortifikuar. Të gjithë burrat e gratë dhe të gjithë fisnikët e qytetit shkuan të strehoheshin atje. E mbyllën derën nga pas e u ngjitën në tarracën e kullës. Abimeleku shkoi te kulla dhe e sulmoi. Pastaj iu afrua hyrjes së kullës për t'i vënë flakën, por një grua i hodhi një gur mokre Abimelekut në kokë dhe i çau kafkën. Abimeleku thirri menjëherë djaloshin që i mbante armët e i tha: «Nxirr shpatën dhe vritmë, që të mos thonë: “E vrau një grua”». Djaloshi e shpoi tejpërtej e ai vdiq. Kur izraelitët panë se Abimeleku kishte vdekur, u kthye secili në shtëpinë e vet. Perëndia ia shpagoi Abimelekut të keqen që bëri kundër të atit, kur vrau shtatëdhjetë vëllezërit e vet. Po ashtu, Perëndia ua shpagoi edhe banorëve të Shekemit ligësinë që kishin bërë dhe mbi ta ra mallkimi i Jotamit, birit të Jerubaalit. Pas Abimelekut doli për të shpëtuar Izraelin Tolai, biri i Puahut, të birit të Dodoit, nga fisi i Isaharit. Tolai jetonte në Shamir, në malësinë e Efraimit. Ai qe gjyqtar i Izraelit për njëzet e tre vjet. Pastaj vdiq dhe u varros në Shamir. Pas Tolait doli Jairi nga Gileadi. Jairi qe gjyqtar i Izraelit për njëzet e dy vjet. Ai kishte tridhjetë djem, që kalëronin mbi tridhjetë gomarë. Ata kishin tridhjetë fshatra, që edhe sot e kësaj dite quhen fshatrat e Jairit. Këto fshatra ndodhen në tokën e Gileadit. Jairi vdiq e u varros në Kamon. Izraelitët bënë sërish çka është keq në sytë e Zotit e i shërbyen Baalëve dhe Ashtarotës, perëndive të Aramit, të Sidonit, të Moabit, të Amonit dhe të filistinëve. E braktisën Zotin e nuk i shërbyen më. Zemërimi i Zotit u ndez kundër izraelitëve dhe ai i dorëzoi te filistinët dhe amonitët. Atë vit e për tetëmbëdhjetë vjet me radhë ata i dërrmuan e i shtypën të gjithë izraelitët që gjendeshin përtej Jordanit, në Gilead, në tokën e amoritëve. Amonitët kaluan Jordanin për të sulmuar edhe Judën, Benjaminin dhe fisin e Efraimit. Izraeli ishte në mjerim të madh. Atëherë izraelitët i thirrën në ndihmë Zotit e thanë: «Kemi mëkatuar kundër teje, sepse e kemi braktisur Perëndinë tonë dhe u kemi shërbyer Baalëve». Zoti u tha: «Kur egjiptianët, amoritët, amonitët, filistinët, sidonasit, amalekitët dhe maonitët ju shtypën me dhunë, ju më thirrët mua në ndihmë e unë ju shpëtova nga zgjedha e tyre. Por ju më keni braktisur dhe u keni shërbyer perëndive të huaj, prandaj nuk do t'ju shpëtoj më. Shkoni e thërrisni në ndihmë perënditë që keni zgjedhur. Le t'ju shpëtojnë ata nga kjo kohë mjerimi». Izraelitët i thanë Zotit: «Kemi mëkatuar. Bëj me ne si të të duket më mirë, veçse, të lutemi, na shpëto edhe sot». Atëherë izraelitët i flakën tej perënditë e huaja që kishin e i shërbyen Zotit. Zoti nuk e duroi dot më mjerimin e Izraelit. Amonitët u mblodhën bashkë e fushuan në Gilead. Edhe izraelitët u mblodhën bashkë e fushuan në Micpah. Atëherë krerët e popullit të Gileadit i thanë njëri-tjetrit: «Ai që do të nisë sulmin kundër amonitëve, do të bëhet prijësi i të gjithë banorëve të Gileadit». Jeftahu nga Gileadi ishte trim i fuqishëm. Ai ishte biri i Gileadit që kishte lindur nga një lavire. Por gruaja e Gileadit i kishte lindur atij edhe bij të tjerë. Kur u rritën, ata e dëbuan Jeftahun e i thanë: «Ti nuk ke për të pasur pjesë në trashëgiminë e atit tonë, sepse je biri i një gruaje tjetër». Atëherë Jeftahu u largua nga vëllezërit e tij dhe jetoi në vendin e Tobit. Rreth tij u bashkuan njerëz të poshtër, që dilnin për të plaçkitur bashkë me të. Pas njëfarë kohe amonitët sulmuan Izraelin. Kur amonitët sulmuan Izraelin, pleqësia e Gileadit shkoi për të marrë Jeftahun në vendin e Tobit. Ata i thanë Jeftahut: «Eja e bëhu prijësi i ushtrisë sonë, për të luftuar me amonitët». Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «A nuk ishit ju ata që më urryet e më zbuat nga shtëpia e tim eti? Përse keni ardhur tek unë tani që keni rënë ngushtë?». Pleqësia e Gileadit i tha: «Kemi ardhur tani te ti, që të vish me ne e të luftosh kundër amonitëve e të bëhesh prijësi i të gjithë banorëve të Gileadit». Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «Nëse më ktheni për të luftuar kundër amonitëve dhe nëse Zoti m'i dorëzon, do të bëhem prijësi juaj». Pleqësia e Gileadit i tha: « Zoti do të jetë dëshmitar mes nesh, se do të bëjmë siç the». Atëherë Jeftahu shkoi bashkë me pleqësinë e Gileadit dhe populli e caktoi si prijës e sundues. Jeftahu i përsëriti në Micpah para Zotit të gjitha fjalët që pati thënë më parë. Jeftahu i dërgoi lajmëtarë mbretit të amonitëve e i tha: «Çfarë ke me mua, që ke ardhur për të sulmuar vendin tim?». Mbreti i amonitëve iu përgjigj lajmëtarëve të Jeftahut: «Izraeli mori tokën time kur erdhi nga Egjipti, duke filluar nga Arnoni e deri në Jabok e në Jordan. Tani, na i ktheni këto toka me paqe». Jeftahu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të amonitëve e i tha: «Kështu thotë Jeftahu: Izraeli nuk ka marrë as tokën e Moabit e as tokën e amonitëve. Kur izraelitët dolën nga Egjipti, kaluan shkretëtirën deri në detin e Kuq dhe mbërritën në Kadesh. Atëherë i dërguan lajmëtarë mbretit të Edomit e i kërkuan që t'i lejonte të kalonin nëpër tokën e tij, por mbreti i Edomit nuk dëgjoi. I dërguan lajmëtarë edhe mbretit të Moabit, por as ai nuk donte t'i lejonte. Izraelitët u ndalën në Kadesh. Pastaj udhëtuan në shkretëtirë dhe anashkaluan tokat e Edomit e të Moabit. Mbërritën në lindje të tokës së Moabit dhe e ngritën fushimin në anën tjetër të Arnonit, pa hyrë brenda kufijve të Moabit, sepse Arnoni është kufiri i Moabit. Izraelitët i dërguan lajmëtarë Sihonit, mbretit të amoritëve, mbretit të Heshbonit e i kërkuan që t'i lejonte të kalonin nëpër tokën e tij për të shkuar në vendin e tyre. Por Sihoni nuk pati besim tek izraelitët dhe nuk i la të kalonin përmes trojeve të tij. Ai mblodhi tërë popullin e tij dhe e ngriti fushimin në Jahac për të sulmuar Izraelin. Por Zoti, Perëndia i Izraelit, ia dorëzoi Sihonin dhe tërë popullin e tij izraelitëve. Izraeli i mposhti dhe mori të gjitha tokat e amoritëve që banonin në atë vend. Izraelitët pushtuan gjithë trojet e amoritëve, nga Arnoni deri në Jabok dhe nga shkretëtira deri në Jordan. E tani që Zoti, Perëndia i Izraelit, i ka dëbuar amoritët para Izraelit, popullit të tij, ti dashke që ta marrësh këtë tokë për vete? A nuk zotëron ti tokën që të dha Kemoshi, perëndia yt? E pra, edhe ne do të zotërojmë gjithçka që na ka dhënë Zoti, Perëndia ynë. Mos je më i mirë se Balaku, biri i Ciporit, mbreti i Moabit? Ai nuk u grind kurrë me Izraelin e as luftoi kundër tij. Izraelitët kanë treqind vjet që banojnë në Heshbon dhe në fshatrat përreth, në Aroer dhe në fshatrat përreth, si edhe në të gjitha qytetet që ndodhen në brigjet e Arnonit. Përse nuk i keni marrë këto troje gjatë kësaj kohe? Unë s'të kam faj, që të më biesh në qafë duke më shpallur luftë. Zoti, gjykatësi, vendostë sot drejtësi mes izraelitëve dhe amonitëve». Por mbreti i amonitëve nuk i përfilli fjalët që i tha Jeftahu përmes lajmëtarëve. Atëherë shpirti i Zotit e pushtoi Jeftahun. Jeftahu përshkoi Gileadin dhe Manaseun, shkoi në Micpah të Gileadit e prej andej tek amonitët. Jeftahu iu betua Zotit e i tha: «Nëse më dorëzon amonitët, i pari që do të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më takuar, kur të kthehem ngadhënjimtar mbi amonitët, do të të përkasë ty dhe do të ta kushtoj si fli shkrumbimi». Kështu, Jeftahu kaloi kufijtë e amonitëve për të luftuar kundër tyre dhe Zoti ia dorëzoi. I shpartalloi krejt dhe bëri kërdinë nga Aroeri deri në Minit, gjithsej njëzet qytete, e deri në Abel Keramin. Amonitët u mposhtën prej izraelitëve. Jeftahu po kthehej në shtëpi në Micpah, kur, ja, përpara i doli e bija, duke i rënë dajres e duke vallëzuar. Ishte vajza e tij e vetme, se nuk kishte as djem e as vajza të tjera. Jeftahu kur e pa, shqeu rrobat e tha: «Mjerë, o bija ime! Sa po ma thyen shpirtin! Sa fatkeq po më bën! I kam dhënë fjalën Zotit e s'mund ta thyej». Ajo i tha: «Ati im, nëse i ke dhënë fjalën Zotit, vepro me mua sipas fjalës që ke dhënë, sepse Zoti të dha fitoren mbi armiqtë e tu, amonitët». Pastaj i tha të atit: «Por, të lutem për një gjë: shtyje për dy muaj, që të shkoj nëpër male me shoqet e mia e të qaj virgjërinë time». Ai i tha të shkonte dhe e la të ikte për dy muaj. Ajo shkoi bashkë me shoqet nëpër male dhe qau për virgjërinë e saj. Pas dy muajsh ajo u kthye tek i ati dhe ai veproi me të sipas fjalës që kishte dhënë. Ajo nuk njohu kurrë burrë. Kështu, u bë zakon në Izrael, që bijat e izraelitëve të shkonin çdo vit për katër ditë për të vajtuar bijën e Jeftahut nga Gileadi. Burrat e fisit të Efraimit u mblodhën bashkë, kaluan Jordanin dhe mbërritën në Cafon. Ata i thanë Jeftahut: «Përse kalove Jordanin për të sulmuar amonitët e nuk na thirre edhe ne? Do t'i vëmë flakën shtëpisë sate bashkë me ty brenda». Jeftahu u tha: «Unë e populli im ishim në luftë të ashpër me amonitët dhe, kur ju thirra në ndihmë, ju nuk erdhët të më shpëtonit prej tyre. Kur pashë se ju nuk po vinit për të më shpëtuar, vura jetën time në rrezik, kalova Jordanin për të sulmuar amonitët dhe Zoti m'i dorëzoi. Përse, pra, vini tani për të më sulmuar?». Jeftahu mblodhi të gjithë burrat e Gileadit e u ndesh me Efraimin. Burrat e Gileadit i sulmuan burrat e Efraimit, sepse u kishin thënë: «Ju burrat e Gileadit jeni ikanakë e banoni mes Efraimit e Manaseut». Burrat e Gileadit zunë vaun e Jordanit, nëpër të cilin do të kalonin burrat e Efraimit. Kur vinte ndonjë i arratisur nga Efraimi e u thoshte: «Më lini të kaloj!», burrat e Gileadit i thoshin: «Mos je gjë nga Efraimi?». Ai u përgjigjej: «Jo». E ata i thoshin: «Thuaj Shiboleth». Por ai përgjigjej: «Siboleth», sepse nuk mund ta shqiptonte saktë. Atëherë ata e merrnin dhe e vrisnin. Asokohe vranë atje në vaun e Jordanit dyzet e dy mijë burra të Efraimit. Jeftahu nga Gileadi qe gjyqtar i Izraelit për gjashtë vjet. Pastaj vdiq e u varros në një nga qytetet e Gileadit. Pas Jeftahut gjyqtar i Izraelit qe Ibcani nga Betlehemi. Ai kishte tridhjetë djem e tridhjetë vajza. Vajzat i kishte martuar jashtë fisit dhe djemve u kishte dhënë për nuse vajza po nga jashtë fisit. Ai qe gjyqtar i Izraelit për shtatë vjet. Pastaj Ibcani vdiq dhe e varrosën në Izrael. Pas tij gjyqtar i Izraelit qe Eloni nga Zabuloni. Ai qe gjyqtar i Izraelit për dhjetë vjet. Pastaj Eloni vdiq e u varros në Ajalon, në trojet e Zabulonit. Pas Elonit, gjyqtar i Izraelit qe Abdoni, biri i Hilel Piratonitit. Abdoni kishte dyzet djem e tridhjetë nipër, që kalëronin shtatëdhjetë gomarë. Abdoni qe gjyqtar i Izraelit për tetë vjet. Pastaj Abdoni, biri i Hilel Piratonitit, vdiq e u varros në Piraton, në trojet e Efraimit, në malin e Amalekut. Izraelitët bënë sërish çka është keq në sytë e Zotit dhe Zoti i dorëzoi te filistinët për dyzet vjet. Në atë kohë, në Corah jetonte një njeri nga fisi i Danit që quhej Manoah. Gruaja e tij ishte beronjë e nuk kishte fëmijë. Engjëlli i Zotit iu shfaq gruas së tij e i tha: «Edhe pse je beronjë e nuk lind dot fëmijë, do të mbesësh shtatzënë e do të lindësh djalë. Veçse kujdes, mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë. Mbi kokën e tij nuk do të kalojë brisku, sepse ai do t'i kushtohet Perëndisë si nazireas që në bark të nënës. Ai do ta nisë shpëtimin e Izraelit prej zgjedhës së filistinëve». Gruaja shkoi e i tha të shoqit: «Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë dhe kishte pamjen e një engjëlli Perëndie, vërtet të frikshme. Nuk e pyeta nga vinte e nuk më tregoi si quhej, por më tha: “Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë, prandaj mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse djali do t'i kushtohet Perëndisë, derisa të vdesë”». Atëherë Manoahu iu lut Zotit e i tha: «Të lutem, o Zoti im, dërgoje sërish njeriun e Perëndisë, që dërgove më parë, të na mësojë çfarë të bëjmë me djalin që do të lindë». Perëndia e dëgjoi lutjen e Manoahut dhe engjëlli i Perëndisë shkoi përsëri te gruaja që po rrinte ulur në arë, por burri i saj Manoahu nuk ishte me të. Atëherë gruaja shkoi me nxitim për t'i treguar të shoqit e i tha: «M'u shfaq përsëri ai njeriu që pati ardhur tek unë para disa ditësh». Manoahu u ngrit e shkoi pas gruas së tij. Kur mbërriti tek ai njeri, e pyeti: «Ti je njeriu që ke folur me këtë grua?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». Manoahu i tha: «Kur të përmbushet fjala jote, çfarë rregullash duhet të mbajmë për djaloshin dhe si duhet të veprojmë me të?». Engjëlli i Zotit i tha Manoahut: «Gruaja jote duhet të ruhet nga gjithçka që i thashë. Të mos hajë asnjë prodhim të hardhisë, të mos pijë verë e pije dehëse dhe të mos hajë asgjë të papastër. Të mbajë gjithçka që i urdhërova». Manoahu i tha engjëllit të Zotit: «Të lutemi rri të të përgatitim një kec». Engjëlli i Zotit i tha Manoahut: «Edhe sikur të më mbash, nuk kam për të ngrënë nga buka jote, por, nëse dëshiron të kushtosh një fli shkrumbimi, kushtoja Zotit ». Manoahu nuk e dinte që ai ishte engjëlli i Zotit. Atëherë Manoahu i tha engjëllit të Zotit: «Si e ke emrin, që të mund të të nderojmë pasi të jetë përmbushur fjala jote?». Engjëlli i Zotit i tha: «Përse më pyet për emrin? Është emër i mrekullueshëm». Manoahu mori një kec bashkë me flinë e drithit dhe ia kushtoi Zotit mbi gurë. Atëherë një mrekulli ndodhi para syve të Manoahut dhe gruas së tij. Teksa flaka po ngjitej prej altarit në qiell, engjëlli i Zotit u ngjit bashkë me flakën e altarit. Kur e panë këtë, Manoahu me gruan e tij ranë me fytyrë përtokë. Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më Manoahut dhe gruas së tij. Manoahu e kuptoi se ai kishte qenë engjëlli i Zotit e i tha së shoqes: «Kemi për të vdekur, se pamë Perëndinë». E shoqja i tha: «Nëse Zoti do të donte që të vdisnim, nuk do ta kishte pranuar flinë tonë të shkrumbimit bashkë me flinë tonë të drithit, nuk do të na i tregonte të gjitha këto gjëra e nuk do të na fliste për to». Gruaja lindi djalë dhe e quajti Samson. Djali u rrit dhe Zoti e bekoi. Shpirti i Zotit e nxiti Samsonin të veprojë kur ai ndodhej në fushat e Danit, mes Corahut dhe Eshtaolit. Samsoni shkoi në Timnah dhe atje pa një grua filistine. Kur u kthye i tha të atit e të ëmës: «Kam parë një grua filistine në Timnah. Ma merrni për grua». I ati dhe e ëma i thanë: «Nuk paska gra mes bijave të vëllezërve të tu dhe të popullit tonë, që të shkosh e të marrësh grua nga filistinët e parrethprerë?». Por Samsoni iu përgjigj: «Atë më merrni, se më pëlqen». I ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti, që kërkonte një rast kundër filistinëve. Në atë kohë filistinët sundonin mbi Izraelin. Samsoni shkoi në Timnah bashkë me të atin dhe të ëmën. Kur mbërritën te vreshtat e Timnahut, një këlysh luani iu vërsul Samsonit duke ulërirë. Atëherë shpirti i Zotit e mbuloi Samsonin dhe ai e shqeu luanin më dysh si të ishte kec, pa pasur gjë në dorë. Nuk i tregoi as të atit e as të ëmës çfarë bëri. Pastaj shkoi në Timnah dhe foli me atë grua. Ajo i pëlqeu shumë. Pas disa ditësh u kthye për ta marrë dhe doli nga rruga për të parë kufomën e luanit. Brenda kufomës kishte një luzmë bletësh dhe mjaltë. Mori ca mjaltë në dorë dhe po e hante rrugës. Kur mbërriti tek i ati dhe e ëma, u dha edhe atyre të hanin, por nuk u tregoi se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit. I ati i Samsonit shkoi te gruaja dhe aty Samsoni shtroi një gosti, siç e kishin zakon të rinjtë. Kur e panë banorët e qytetit, i caktuan tridhjetë shokë, që të rrinin me të. Samsoni u tha: «Do t'ju tregoj një gjëegjëzë. Po ta gjeni gjatë shtatë ditëve të festës, do t'ju jap tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba, por, po të mos e gjeni, do të më jepni ju tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba». Ata i thanë: «Tregoje gjëegjëzën, që ta dëgjojmë». Samsoni u tha: «Prej gllabëruesit doli ushqim, prej të fortit ëmbëlsirë». Për tri ditë nuk ia dolën ta gjenin gjëegjëzën. Ditën e shtatë i thanë gruas së Samsonit: «Mbushja mendjen tët shoqi të na e tregojë gjëegjëzën, në mos do të të djegim ty dhe shtëpinë e tët eti. Për çfarë na ftuat, që të na lini lakuriq?». Atëherë gruaja e Samsonit qau para tij e i tha: «Ti më urren e nuk më do. U the një gjëegjëzë bijve të popullit tim, por mua nuk ma tregove përgjigjen». Samsoni i tha: «Nuk ia kam treguar as atit tim, as nënës sime. Mos vallë do të ta tregoj ty?». Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës dhe ditën e shtatë Samsoni ia tregoi përgjigjen e gjëegjëzës, ngaqë ajo e mërziti shumë. Ajo ua tregoi përgjigjen bijve të popullit të saj. Ditën e shtatë, para perëndimit të diellit, ata i thanë: «Ç'është më i ëmbël se mjalti? Ç'është më i fortë se luani?». Atëherë Samsoni u tha: «Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, gjëegjëzën s'kishit për ta gjetur». Shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin e ai zbriti në Ashkelon. Atje vrau tridhjetë nga burrat e qytetit dhe rrobat e tyre ua dha atyre që kishin gjetur gjëegjëzën. Pastaj, i ndezur nga zemërimi, u kthye në shtëpinë e të atit. Gruan e Samsonit ia dhanë shoqëruesit të tij, shokut të tij të ngushtë. Pas njëfarë kohe, gjatë të korrave, Samsoni shkoi për të parë gruan dhe i solli një kec. Kërkoi të hynte në dhomën e së shoqes, por i ati i saj nuk e lejoi e i tha: «Unë mendova se nuk e doje më, prandaj dhe ia dhashë për grua shokut tënd. A nuk të duket më e bukur motra e saj e vogël? Martohu më mirë me të». Samsoni iu përgjigj: «Këtë herë nuk do t'u kem asnjë faj filistinëve, po t'u bëj ndonjë të keqe». Mandej shkoi e zuri treqind dhelpra dhe mori disa pishtarë. I lidhi dhelprat dy e nga dy për bishti dhe te lidhja e bishtave vuri nga një pishtar. Pastaj ndezi pishtarët dhe i lëshoi dhelprat nëpër arat e grurit të filistinëve. Duajt dhe arat e grurit, vreshtat dhe ullinjtë u dogjën flakë. Filistinët pyetën: «Kush e bëri këtë?». U thanë: «Samsoni, dhëndri i Timnitit, se ky ia mori gruan dhe ia dha shokut të tij». Atëherë filistinët shkuan dhe e dogjën gruan e Samsonit bashkë me të atin. Samsoni u tha filistinëve: «Meqë vepruat kështu, nuk do të prehem derisa të kem marrë hak ndaj jush». I sulmoi pa mëshirë e bëri kërdinë. Pastaj shkoi të banojë në shpellën e shkëmbit të Etamit. Atëherë filistinët shkuan në Judë dhe ngritën fushimin deri pranë Lehit. Burrat e fisit të Judës u thanë: «Përse keni ardhur të na sulmoni?». Ata u përgjigjën: «Kemi ardhur të lidhim Samsonin dhe të hakmerremi për atë që na bëri». Tre mijë burra nga fisit i Judës shkuan te shpella e shkëmbit të Etamit e i thanë Samsonit: «A nuk e di ti se filistinët janë sunduesit tanë? Ç'na bëre?». Samsoni iu përgjigj: «Ua bëra siç ma bënë». Ata i thanë: «Kemi ardhur të të lidhim e të të dorëzojmë te filistinët». Ai u tha: «M'u betoni se nuk do të më vrisni». Ata i thanë: «Jo, duam vetëm të të lidhim e të të dorëzojmë tek ata». E lidhën me dy litarë dhe e nxorën nga shpella. Kur Samsoni mbërriti në Lehi, filistinët e pritën me britma ngazëllimi. Atëherë shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin, ndërsa litarët, që e mbanin lidhur, u bënë si fije liri të djegura në zjarr. Edhe zinxhirët iu shkëputën nga duart. Atëherë ai gjeti një nofull gomari ende të freskët, zgjati dorën, e mori dhe me të goditi një mijë burra. Dhe Samsoni tha: «Me një nofull gomari, pirgje-pirgje i bëra, me një nofull gomari, një mijë burra vrava». Kur mbaroi së foluri, e hodhi tej nofullën. Atë vend e quajti Ramat Lehi. Samsonin e zuri një etje e madhe, prandaj dhe i thirri në ndihmë Zotit: «Përmes shërbëtorit tënd solle një fitore kaq të madhe. Mos duhet të vdes tani nga etja e të bie në duart e të parrethprerëve?». Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët të Lehit dhe prej tij doli ujë. Si piu ujë, Samsonit iu përtërit shpirti dhe iu rikthyen fuqitë, prandaj e quajti atë burim En Hakore. Ai burim është në Lehi edhe sot e kësaj dite. Samsoni qe gjyqtar në Izrael në kohën e filistinëve për njëzet vjet. Mandej Samsoni shkoi në Gazë. Atje pa një lavire dhe shkoi me të. Kur u thanë banorëve të Gazës se Samsoni ishte atje, ata rrethuan qytetin dhe i zunë pusi. Pritën gjithë natën te portat e qytetit, që ta vrisnin kur të agonte. Samsoni fjeti deri në mesnatë. Pastaj u ngrit nga mesi i natës, mbërtheu portën e qytetit dhe e shkuli bashkë me dy shtalkat e me shulin. Pastaj e hodhi mbi shpatulla dhe e çoi në majë të malit përballë Hebronit. Pas kësaj, Samsoni ra në dashuri me një grua që jetonte në Sorek. Ajo quhej Dalila. Prijësit e filistinëve shkuan tek ajo e i thanë: «Mbushja mendjen të të tregojë nga i vjen tërë ajo fuqi. Na trego si mund ta mposhtim, ta lidhim e ta vëmë poshtë dhe do të të japim nga një mijë e njëqind monedha argjendi secili». Kështu, Dalila i tha Samsonit: «Të lutem, më trego nga të vjen tërë kjo fuqi dhe si mund të lidhesh e të mposhtesh?». Samsoni i tha: «Nëse më lidhin me shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Prijësit e filistinëve i sollën Dalilës shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, dhe ajo e lidhi Samsonin me to. Disa filistinë zunë pritë në një nga dhomat e shtëpisë dhe Dalila i thirri Samsonit: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Atëherë Samsoni i këputi telat e harkut, si fije liri pranë zjarrit. Kështu, e fshehta e fuqisë së tij mbeti e panjohur. Dalila i tha Samsonit: «U talle me mua e më the gënjeshtra. Më thuaj, pra, me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Nëse më lidhin me litarë të rinj, që nuk janë përdorur kurrë, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Atëherë Dalila mori litarë të rinj, e lidhi me to dhe bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Ndërkohë që disa filistinë kishin zënë pritë në një nga dhomat e shtëpisë. Samsoni i këputi litarët si të ishin fije peri. Atëherë Dalila i tha Samsonit: «Deri tani je tallur me mua e më ke thënë gënjeshtra. Tregomë me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Duke thurur me kunjin e tezgjahut shtatë gërsheta në kokën time». Dalila ia thuri gërshetat dhe ia lidhi me kunjin e tezgjahut. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi dhe e shkuli kunjin e tezgjahut me gjithë tezgjah. Dalila i tha Samsonit: «Si mund të thuash se më do, kur zemra jote nuk është me mua? Më gënjeve tri herë dhe nuk ma tregove se ku qëndron fuqia jote e madhe». Ajo e mërziste çdo ditë me fjalë dhe e ngacmonte pa pushim, aq sa Samsoni u pikëllua për vdekje, i hapi zemrën e i tha: «Kokën time nuk e ka prekur kurrë brisku, sepse i jam kushtuar Perëndisë si nazireas, që në bark të nënës. Nëse rruhem, më ikën fuqia dhe bëhem i dobët si njerëzit e tjerë». Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se Zoti ishte larguar prej tij. Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish. Prijësit filistinë u mblodhën për t'i kushtuar një fli të madhe Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për të festuar, sepse thoshin se perëndia i tyre ua kishte dorëzuar Samsonin, armikun e tyre. Kur e pa, populli përlëvdonte perëndinë e vet, duke thënë: «Perëndia ynë na e dorëzoi armikun, atë që shkatërronte arat tona, atë që vrau shumë nga njerëzit tanë». Shumë të gëzuar, ata thanë: «Silleni Samsonin të na argëtojë». E sollën Samsonin nga burgu, që t'i argëtonte, dhe e lidhën te shtyllat e tempullit. Atëherë Samsoni i tha djaloshit që e mbante për dore: «Lërmë të prek shtyllat e tempullit, që të mbështetem pak». Tempulli ishte i mbushur plot me burra e gra. Aty ishin edhe të gjithë prijësit e filistinëve dhe mbi çati gjendeshin rreth tre mijë vetë, burra e gra, që shikonin Samsonin tek i argëtonte. Atëherë Samsoni i thirri Zotit e i tha: «O Zot, Zoti im, të lutem kujtohu për mua. Më jep edhe një herë fuqi, o Perëndia im, që të marr hak ndaj filistinëve për veten time dhe për dy sytë e mi». Samsoni mbërtheu dy shtyllat e mesit që mbanin tempullin, njërën me krahun e djathtë e tjetrën me krahun e majtë, e tha: «Le të vdes bashkë me filistinët!». I shtyu shtyllat me sa fuqi pati dhe tempulli u shemb mbi prijësit e filistinëve e mbi gjithë popullin që ishte në të. Samsoni vrau me vdekjen e vet më shumë sesa vrau gjatë gjithë jetës së tij. Vëllezërit dhe familja e tij shkuan, e morën trupin e tij dhe e varrosën mes Corahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, atit të tij. Samsoni qe gjyqtar në Izrael për njëzet vjet. Në malësinë e Efraimit jetonte një njeri, që quhej Mikah. Ai i tha së ëmës: «Një mijë e njëqind monedhat e argjendit, që t'i kishin vjedhur dhe për të cilat mallkove, siç e dëgjova vetë, ja ku janë, i kisha unë. T'i kisha marrë unë». E ëma i tha: « Zoti të bekoftë, biri im!». Mikahu ia ktheu një mijë e njëqind monedhat e argjendit të ëmës dhe ajo i tha: «Këto monedha argjendi ia kam kushtuar Zotit, për hir të djalit tim. Merri, pra, dhe bëj me to një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një idhull prej metali». Por Mikahu ia ktheu monedhat së ëmës. Atëherë e ëma mori dyqind monedha argjendi e ia dha argjendarit të bënte një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një idhull prej metali. Idhullin e vendosën në shtëpinë e Mikahut. Mikahu kishte një faltore perëndish. Kishte bërë një efod, bashkë me disa idhuj të tjerë shtëpie, dhe kishte caktuar një nga djemtë e tij, që t'i shërbente si prift. Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael dhe gjithkush bënte çfarë i dukej e drejtë. Asokohe, banonte aty një levit i ri në moshë. Ai vinte nga Betlehemi e i përkiste fisit të Judës. Ishte larguar nga Betlehemi i Judës për të gjetur një vendbanim. Udhës, ai mbërriti në shtëpinë e Mikahut, në malësinë e Efraimit. Mikahu e pyeti: «Nga vjen?». Ai iu përgjigj: «Jam një levit nga Betlehemi i Judës dhe po kërkoj një vend për të banuar». Mikahu i tha: «Qëndro me mua. Bëhu ati dhe prifti im dhe unë do të të jap çdo vit dhjetë monedha argjendi, veshmbathje dhe ushqim». Leviti hyri dhe vendosi të qëndrojë me të. Mikahu e mbajti levitin si birin e vet. Mikahu e shuguroi levitin prift. Ai u bë prifti i Mikahut dhe banoi në shtëpinë e tij. Atëherë Mikahu tha: «Tani e di se Zoti do të më bëjë mirësi, sepse kam levitin që më shërben si prift». Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael dhe fisi i Danit ishte në kërkim të një prone për të banuar, sepse nuk i ishte caktuar ende asnjë trashëgimi mes fiseve të tjera të Izraelit. Pasardhësit e Danit dërguan nga Corahu dhe Eshtaoli pesë burra të fortë nga fisi e klanet e tyre për të përgjuar vendin e për ta vëzhguar me kujdes. U kishin thënë të shkonin e ta shihnin mirë vendin. Kështu, ata mbërritën në malësinë e Efraimit, në shtëpinë e Mikahut, ku kaluan natën. Kur po kalonin afër shtëpisë së Mikahut, njohën të folurën e djaloshit levit. Prandaj u kthyen aty dhe e pyetën: «Kush të ka sjellë këtu? Çfarë bën në këtë vend? Çfarë pune ke këtu?». Ai u tha: «Mikahu më ka bërë këtë e atë. Ai më paguan e unë i shërbej si prift». Atëherë ata i thanë: «Pyete Perëndinë nëse do të na shkojë mbarë udhëtimi që kemi nisur». Prifti iu përgjigj: «Shkoni në paqe! Udhëtimi që keni nisur ka pëlqimin e Zotit ». Pesë burrat u nisën dhe mbërritën në Laish. Atje panë se njerëzit jetonin të qetë, sipas dokeve të sidonasve. Jetonin në paqe e pa frikë dhe askush nuk i shtypte e nuk i sundonte. Ishin larg Sidonit dhe nuk kishin lidhje me askënd. Të dërguarit u kthyen te vëllezërit e tyre në Corah dhe Eshtaol e ata i pyetën: «Si mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Ngrihuni të hidhemi në sulm. Kemi parë një vend shumë të mirë. Mos ngurroni e mos u vononi! Shkoni e pushtojeni. Kur të mbërrini atje, do të gjeni një popull të qetë dhe një vend të madh. Perëndia na e ka dorëzuar atë vend. Aty nuk mungon asnjë nga të mirat e tokës». Kështu, nga Corahu dhe Eshtaoli u nisën gjashtëqind burra të armatosur nga fisi i Danit. Ata shkuan e fushuan në Kirjat Jearim të Judës. Prandaj ai vend, mbrapa Kirjat Jearimit, quhet «Fushimi i Danit» edhe sot e kësaj dite. Prej andej ata shkuan në malësinë e Efraimit dhe mbërritën në shtëpinë e Mikahut. Pesë burrat, që kishin shkuar për të përgjuar vendin e Laishit, u thanë vëllezërve të tyre: «A e dini se në këtë shtëpi ka një efod, disa idhuj shtëpie, një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një idhull metali? Ju e dini se ç'duhet të bëni». Atëherë ata kthyen te shtëpia e Mikahut, hynë për të takuar djaloshin levit dhe e përshëndetën. Gjashtëqind burrat e armatosur nga fisi i Danit qëndruan te hyrja e shtëpisë. Pesë burrat, që kishin shkuar për të përgjuar vendin, hynë në shtëpi, morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, idhujt e shtëpisë dhe idhullin prej metali, ndërsa prifti qëndronte te hyrja e shtëpisë me gjashtëqind burrat e armatosur. Kur burrat hynë në shtëpinë e Mikahut për të marrë shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, idhujt e shtëpisë dhe idhullin prej metali, prifti u tha: «Çfarë po bëni?». Ata i thanë: «Hesht dhe mbylle gojën. Eja me ne e bëhu ati e prifti ynë. Ç'është më mirë për ty, të jesh prift i shtëpisë së një njeriu të vetëm apo prifti i një fisi e i një klani të Izraelit?». Prifti u gëzua shumë, prandaj mori efodin, idhujt e shtëpisë, shëmbëlltyrën e gdhendur dhe shkoi me ta. U nisën sërish për udhë dhe vunë para fëmijët, bagëtitë dhe gjërat e çmuara. Kur ishin larguar nga shtëpia e Mikahut, burrat e shtëpive aty pranë u mblodhën, i ndoqën pasardhësit e Danit dhe i thirrën nga pas. Ata u kthyen e i thanë Mikahut: «Çfarë ke që i ke mbledhur njerëzit?». Ai u tha: «Ju më morët perënditë që i gdhenda vetë, si dhe priftin. Nuk më ka mbetur asgjë e ju më thoni “çfarë ke?”». Pasardhësit e Danit iu përgjigjën: «Mos të ta dëgjojmë më zërin, se po u mërzitën disa nga ne, mund të hidhen në sulm e të të vrasin ty dhe njerëzit e shtëpisë sate». Ata vazhduan udhën, ndërsa Mikahu, kur pa se ishin më të fortë, u kthye në shtëpi. Si i morën me vete idhujt, që kishte bërë Mikahu, bashkë me priftin e tij, shkuan e sulmuan Laishin, një popull të qetë e paqësor. Banorët i vranë me shpatë, ndërsa qytetit i vunë flakën. Askush nuk i erdhi në ndihmë Laishit, sepse ishte larg Sidonit dhe banorët e tij nuk kishin lidhje më askënd. Qyteti ndodhet në luginën e Bet Rehobit. Pasardhësit e Danit e rindërtuan, banuan në të dhe i vunë emrin e Danit, atit të fisit të tyre, që ishte bir i Izraelit. Qyteti më parë quhej Laish. Pasardhësit e Danit e lartuan shëmbëlltyrën e gdhendur, ndërsa Jonatani, biri i Gershomit, të birit të Manaseut, dhe bijtë i tij shërbyen si priftërinj për fisin e Danit, derisa vendi ra në robëri. Kështu, ata lartuan shëmbëlltyrën e gdhendur të Mikahut, për sa kohë shtëpia e Perëndisë ishte në Shiloh. Në atë kohë, kur nuk kishte ende mbret në Izrael, jetonte në një vend të largët në malësinë e Efraimit një levit. Ai kishte marrë një shemër nga Betlehemi i Judës. Por ajo e la dhe u largua prej tij e u kthye në shtëpinë e të atit në Betlehem të Judës, ku qëndroi katër muaj. Burri i saj mori me vete një shërbëtor e dy gomarë e shkoi tek ajo për ta bindur që të kthehej. Ajo e futi në shtëpi dhe i ati i saj u gëzua shumë kur pa djaloshin. I vjehrri, i ati i vashës, e detyroi djaloshin të qëndronte tri ditë në shtëpinë e tij. Ata hëngrën, pinë dhe bujtën aty. Ditën e katërt u ngritën herët në mëngjes dhe leviti po bëhej gati të nisej, por i ati i vashës i tha dhëndrit: «Ha një kafshatë bukë, që të marrësh fuqi, e pastaj nisu». U ulën të dy dhe hëngrën e pinë. Atëherë i ati i vashës i tha dhëndrit: «Të lutem, rri edhe sonte, që të të kënaqet zemra». Djaloshi donte të nisej, por i vjehrri ia mbushi mendjen të rrinte e të kalonte natën aty. Ditën e pestë, djaloshi u ngrit herët për t'u nisur, por i ati i vashës i tha: «Ha që të marrësh fuqi e rri derisa të ngryset». U ulën të dy për të ngrënë. Atëherë djaloshi u ngrit për t'u nisur bashkë me shemrën e me shërbëtorin, por vjehrri i tha përsëri: «Shiko, dita po mbaron e po bie nata. Rrini këtu sonte, kaloni natën, që t'ju kënaqet zemra dhe nesër në mëngjes herët nisuni për të shkuar në shtëpi». Por dhëndri nuk donte ta kalonte natën atje, prandaj u nis për udhë dhe mbërriti kundruall Jebusit, domethënë Jerusalemit. Me vete kishte dy gomarë të ngarkuar dhe shemrën e tij. Kur po kalonin pranë Jebusit, po binte muzgu. Atëherë shërbëtori i tha të zotit: «Eja të shkojmë në qytetin e jebusitëve, të lutem, dhe ta kalojmë natën aty». Por zotëria i tha: «Jo, nuk do të kthehemi në një qytet të huaj, ku banorët nuk janë izraelitë. Do të vazhdojmë deri në Gibeah». E pastaj i tha shërbëtorit: «Të shkojmë sa më afër njërit prej këtyre vendeve, që ta kalojmë natën në Gibeah ose në Ramah». Kështu, e kaluan Jebusin dhe vazhduan udhën. Perëndimi i diellit i zuri pranë Gibeahut, që i përkiste fisit të Benjaminit. Kthyen në Gibeah për të kaluar natën dhe shkuan e u ulën në sheshin e qytetit, por askush nuk ua hapi dyert e shtëpisë. Aty nga mbrëmja po kthehej nga ara një plak. Plaku ishte i ardhur në Gibeah. Kishte ardhur nga malësia e Efraimit, ndërsa vendasit ishin pasardhës të fisit të Benjaminit. Plaku ngriti sytë dhe pa kalimtarin ulur në sheshin e qytetit dhe e pyeti: «Ku po shkoni e nga vini?». Ai iu përgjigj: «Po udhëtojmë nga Betlehemi për në vendin më të largët të malësisë së Efraimit, nga edhe vij. Isha në Betlehem të Judës e tani po kthehem në shtëpinë e Zotit, por askush nuk na i ka hapur dyert e shtëpisë. Kemi me vete kashtë e tagji për gomarët tanë, si edhe bukë e verë për veten time, për shërbëtoren tënde dhe për djaloshin, që shoqëron shërbëtorin tënd. Nuk na mungon asgjë». Plaku u tha: «Paqja qoftë me ty! Do të kujdesem unë për çdo nevojë që ke, veç mos e kalo natën në sheshin e qytetit». Atëherë, i futi në shtëpi e u dha ushqim gomarëve. Pastaj lanë këmbët dhe hëngrën e pinë. Teksa ata po kënaqeshin, mbërritën disa burra të atij qyteti, njerëz të poshtër, rrethuan shtëpinë e plakut dhe filluan t'i bien derës me dhunë. Pastaj i thirrën të zotit të shtëpisë e i thanë: «Nxirre jashtë atë burrin që ke futur në shtëpi, që ta përdhunojmë». I zoti i shtëpisë doli jashtë e u tha: «Vëllezërit e mi, ju lutem mos bëni ligësi. Ky njeri ka bujtur tek unë si mik. Mos e bëni këtë poshtërsi. Ja, vajza ime është e virgjër dhe ky njeri ka shemrën me vete. Po ju nxjerr ato. Poshtërojini e bëni ç'të doni me to, por mos ia bëni këtë poshtërsi këtij njeriu». Ata nuk deshën ta dëgjonin. Atëherë leviti mori shemrën e vet dhe ua nxori jashtë. Ata e përdhunuan dhe e shfrytëzuan gjithë natën deri në mëngjes. E lanë të ikte kur po agonte. Gruaja u kthye në agim dhe ra te pragu i shtëpisë, ku kishte bujtur zotëria i saj, e mbeti aty deri në agim. Në mëngjes, kur i shoqi u ngrit dhe hapi dyert e shtëpisë për të vazhduar rrugën, pa para derës shemrën e tij, që dergjej me duart te pragu. Atëherë ai i tha: «Ngrihu të ikim». Por ajo nuk përgjigjej më. Ai e ngarkoi mbi gomar dhe u kthye në shtëpi. Kur mbërriti në shtëpi, mori një thikë, e ndau shemrën në dymbëdhjetë copa dhe ua dërgoi të gjithë fiseve të Izraelit. Të gjithë ata që e panë këtë gjë, thanë: «Një gjë e tillë nuk ka ndodhur e nuk është parë kurrë në Izrael, që nga dita kur izraelitët dolën nga Egjipti e deri më sot. Mendohuni mirë, kuvendoni e vendosni». Të gjithë izraelitët u bashkuan si një trup i vetëm para Zotit në Micpah, të ardhur nga Dani e deri nga Bersheba, si edhe nga vendi i Gileadit. Krerët e mbarë popullit të fiseve të Izraelit u mblodhën në kuvendin e popullit të Perëndisë. Ishin mbledhur edhe katërqind mijë luftëtarë këmbësorie me shpata në dorë. Ndërkohë pasardhësit e Benjaminit morën vesh se izraelitët ishin mbledhur në Micpah. Atëherë izraelitët pyetën: «Na thoni, si ndodhi kjo poshtërsi?». Leviti, burri i gruas që u vra, u përgjigj: «Kisha shkuar në Gibeah të Benjaminit bashkë me shemrën për të kaluar natën. Atëherë banorët e Gibeahut u ngritën kundër meje dhe rrethuan natën shtëpinë ku po rrija. Ata donin të më vrisnin mua dhe shemrën time e përdhunuan derisa vdiq. Pastaj unë e mora shemrën, e ndava në copa dhe i nisa nëpër të gjitha trojet e Izraelit, sepse ata bënë kob e poshtërsi në Izrael. Tani, pra, të gjithë ju, o izraelitë të mbledhur këtu, kuvendoni dhe vendosni». Mbarë populli u ngrit njëzëri në këmbë e tha: «Asnjëri nga ne nuk do të kthehet në tendën e vet e askush nuk do të niset për në shtëpi. Ja si do të veprojmë me Gibeahun: do të hedhim short e do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë vetë në njëqind, njëqind në një mijë dhe një mijë në dhjetë mijë. Këta do t'u sjellin ushqime luftëtarëve që do të shkojnë të sulmojnë Gebën e Benjaminit për të gjitha poshtërsitë që bënë në Izrael». Të gjithë burrat e Izraelit, të mbledhur si një trup i vetëm, iu vërsulën qytetit të Gibeahut. Fiset e Izraelit u dërguan lajmëtarë të gjithë pasardhësve të fisit të Benjaminit për t'u thënë: «Ç'është kjo ligësi që u krye ndër ju? Na i dorëzoni, pra, ata burra të poshtër nga Gibeahu, që t'i vrasim e ta zhbijmë të keqen nga Izraeli». Por pasardhësit e Benjaminit nuk deshën t'i dëgjonin vëllezërit e tyre izraelitë. Atëherë pasardhësit e Benjaminit u mblodhën nga të gjitha qytetet në Gibeah për të luftuar kundër izraelitëve. Pasardhësit e Benjaminit numëronin atë ditë njëzet e gjashtë mijë luftëtarë që përdornin shpatën, të ardhur nga qytetet e tjera, pa numëruar shtatë mijë burrat e përzgjedhur mes banorëve të Gibeahut. Mes këtyre luftëtarëve, ishin shtatëqind burra të zgjedhur, që përdornin dorën e majtë në vend të së djathtës. Ata ishin të aftë të qëllonin fijen e flokut me hobe, pa gabuar shenjën. Të gjithë luftëtarët e Izraelit që përdornin shpatën, pa numëruar ata të Benjaminit, ishin katërqind mijë burra. Izraelitët shkuan në Betel, u këshilluan me Perëndinë e thanë: «Kush do të hidhet i pari në sulm kundër pasardhësve të Benjaminit?». Zoti tha: «I pari do të sulmojë fisi i Judës». Izraelitët u ngritën në mëngjes dhe fushuan afër Gibeahut. Pastaj u bënë gati për të sulmuar pasardhësit e Benjaminit e u vunë në rresht luftimi përballë qytetit. Pasardhësit e Benjaminit u hodhën në sulm nga Gibeahu dhe atë ditë shtrinë përtokë njëzet e dy mijë izraelitë të vdekur. Izraelitët i mblodhën sërish forcat dhe u rreshtuan edhe një herë për të luftuar në të njëjtin vend, ku ishin rreshtuar ditën e parë. Ata kishin shkuar e kishin qarë para Zotit deri në mbrëmje dhe e kishin pyetur në duhej t'i sulmonin sërish pasardhësit e Benjaminit. Zoti u kishte thënë: «Hidhuni në sulm!». Izraelitët i sulmuan pasardhësit e Benjaminit edhe ditën e dytë. Luftëtarët e Benjaminit dolën nga Gibeahu dhe ditën e dytë shtrinë të vdekur përtokë tetëmbëdhjetë mijë burra izraelitë, të gjithë të aftë për të përdorur shpatën. Izraelitët shkuan përsëri në Betel. Atje vajtuan dhe u ulën në prani të Zotit. Atë ditë agjëruan deri në mbrëmje dhe i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe paqtimi. Izraelitët u këshilluan sërish me Zotin. Në atë kohë arka e Besëlidhjes së Perëndisë ndodhej aty. Gjatë atyre ditëve para saj shërbente Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të Aronit. Izraelitët pyetën Zotin nëse duhej të hidheshin sërish në sulm kundër pasardhësve të Benjaminit, vëllezërve të tyre, apo ta ndalnin sulmin. Zoti u tha: «Sulmojini nesër, sepse ua kam dorëzuar». Atëherë izraelitët ngritën prita përreth Gibeahut. U përgatitën për të sulmuar pasardhësit e Benjaminit dhe u rreshtuan përballë Gibeahut si herët e tjera. Pasardhësit e Benjaminit u hodhën në sulm dhe izraelitët i tërhoqën larg nga qyteti. Ashtu si herët e tjera, pasardhësit e Benjaminit vrisnin e plagosnin izraelitë gjatë udhës për në Betel dhe për në arat e Gibeahut. Vranë rreth tridhjetë izraelitë. Pasardhësit e Benjaminit menduan se izraelitët po mposhteshin si më parë, por izraelitët morën arratinë për t'i tërhequr kundërshtarët nëpër fusha, sa më larg qytetit. Atëherë të gjithë izraelitët lëvizën nga vendet e tyre të luftimit dhe u rreshtuan për sulm në Baal Tamar. Edhe izraelitët e tjerë dolën nga pritat në fushat e Gebës. Dhjetë mijë izraelitë të zgjedhur u vërsulën kundër Gibeahut. Beteja u bë shumë e ashpër dhe pasardhësit e Benjaminit nuk e kishin kuptuar ende fatkeqësinë që po u afrohej. Zoti e mposhti Benjaminin në prani të Izraelit dhe atë ditë izraelitët vranë njëzet e pesë mijë e njëqind luftëtarë të aftë për të përdorur shpatën. Pasardhësit e Benjaminit panë se po mposhteshin. Izraelitët i lanë të iknin, sepse kishin besim te prita, që kishin ngritur para Gibeahut. Ata që kishin zënë pritë sulmuan menjëherë Gileadin, e pushtuan dhe vranë me shpatë të gjithë banorët e tij. Izraelitët kishin caktuar si shenjë me ata që kishin zënë pritë, ngritjen e një shtëllunge të madhe tymi nga qyteti. Kur izraelitët ishin tërhequr gjatë betejës, pasardhësit e Benjaminit ishin hedhur në sulm dhe kishin vrarë tridhjetë vetë, duke kujtuar se izraelitët po mposhteshin si herën e parë. Por, në atë çast, nga qyteti u ngrit një shtëllungë e madhe tymi. Pasardhësit e Benjaminit u kthyen dhe panë se qytetit ishte pushtuar nga flakët. Atëherë izraelitët u kthyen dhe pasardhësit e Benjaminit u tmerruan, se e kuptuan fatkeqësinë që po u afrohej. U kthyen për t'u tërhequr nga izraelitët, duke marrë udhën drejt shkretëtirës, por izraelitët i sulmuan edhe aty. Pastaj i sulmuan edhe ata që dogjën qytetin. Izraelitët i rrethuan pasardhësit e Benjaminit, i ndoqën pa pushim dhe i mposhtën jashtë Gibeahut, në lindje. Tetëmbëdhjetë mijë burra të fisit të Benjaminit, të gjithë luftëtarë trima, mbetën të vrarë. Të tjerët morën arratinë drejt shkretëtirës, për te shkëmbi i Rimonit. Pesë mijë prej tyre u vranë gjatë udhës. Izraelitët i ndoqën deri në Gidom dhe vranë edhe dy mijë burra të tjerë. Atë ditë u vranë njëzet e pesë mijë burra nga fisi i Benjaminit, të gjithë të aftë për të përdorur shpatën, të gjithë luftëtarë trima. Gjashtëqind burra u tërhoqën e morën arratinë drejt shkretëtirës, për te shkëmbi i Rimonit, ku qëndruan për katër muaj. Pastaj izraelitët u kthyen dhe sulmuan pasardhësit e mbetur të Benjaminit. Në çdo qytet ata kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët, bagëtitë e gjithçka që gjenin. Të gjitha qyteteve që gjetën para, ata u vunë flakën. Burrat e Izraelit ishin betuar në Micpah të mos ua jepnin bijat e veta për gra bijve të Benjaminit. Populli shkoi në Betel. Atje u ulën para Perëndisë deri në mbrëmje dhe qanë e vajtuan me dënesë. Edhe thoshin: «Përse, o Zot, Perëndi i Izraelit, ndodhi kjo gjë në Izrael? Përse të shuhej sot një fis i Izraelit?». Të nesërmen populli u ngrit herët dhe ndërtuan një altar, mbi të cilin kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi. Pastaj izraelitët thanë: «Cili nga fiset e Izraelit nuk erdhi në kuvendin që u bë në prani të Zotit?». Ata ishin përbetuar se do të vrisnin këdo që nuk do të vinte në kuvendin e Micpahut, që u mblodh në prani të Zotit. Por tashmë izraelitët ndienin keqardhje për pasardhësit e Benjaminit, vëllezërit e tyre, prandaj edhe thanë: «Sot u këput një nga fiset e Izraelit. Por çfarë do të bëjmë me ata që kanë mbetur gjallë? Jemi betuar para Zotit të mos ua japim për gra bijat tona». Atëherë ata thanë: «Kush nga fiset e Izraelit nuk erdhi përpara Zotit në Micpah?». Morën vesh se në kuvend nuk kishte ardhur askush nga Jabeshi i Gileadit. Kur numëruan popullin, panë se nuk kishte ardhur askush nga banorët e Jabeshit të Gileadit. Atëherë kuvendi dërgoi atje dymbëdhjetë mijë luftëtarë trima dhe u urdhëroi: «Shkoni e kaloni në teh të shpatës të gjithë banorët e Jabeshit të Gileadit, përfshirë gratë dhe fëmijët. Vritini të gjithë meshkujt dhe të gjitha femrat që kanë shkuar me meshkuj. Do të veproni sipas urdhrit që morët». Mes banorëve të Jabeshit të Gileadit ata gjetën katërqind vajza, që nuk kishin shkuar me meshkuj, dhe i sollën në fushimin e Shilohut në tokën e Kanaanit. Atëherë kuvendi dërgoi lajmëtarë te pasardhësit e Benjaminit, që ishin strukur te shkëmbi i Rimonit, për t'u shpallur paqen. Pasardhësit e Benjaminit u kthyen dhe kuvendi u dha për gra vajzat që kishin mbetur gjallë nga Jabeshi i Gileadit, por nuk pati mjaft për të gjithë. Popullit i erdhi shumë keq për pasardhësit e Benjaminit, sepse Zoti kishte hapur një të çarë mes fiseve të Izraelit. Atëherë pleqësia e kuvendit tha: «Çfarë do të bëjmë për ata që mbetën pa gra, duke qenë se gratë e fisit të Benjaminit janë vrarë?». E thanë: «Ata që kanë mbetur nga fisi i Benjaminit duhet të kenë trashëgimtarë, që të mos shuhet një fis i Izraelit. Nuk mund t'u japim bijat tona për gra, sepse jemi betuar e kemi thënë: “Mallkuar qoftë ai që i jep vajzë për grua fisit të Benjaminit”. Ja, çdo vit bëhet një festë për nder të Zotit në Shiloh, që ndodhet në veri të Betelit, në lindje të rrugës nga Beteli në Shekem dhe në jug të Lebonahut». Pastaj u dhanë këtë urdhër pasardhësve të Benjaminit: «Shkoni e fshihuni nëpër vreshta. Kur të shihni vajzat e Shilohut teksa shkojnë për të vallëzuar, dilni nga vreshtat dhe secili të rrëmbejë një nga vajzat e Shilohut për grua. Pastaj shkoni në vendin e Benjaminit. Kur të vijnë etërit apo vëllezërit e tyre për t'u ankuar, do t'u themi të tregohen zemërgjerë, sepse në betejën e Jabeshit nuk gjetëm gra për të gjithë. Ata nuk do të jenë fajtorë për shkelje të betimit, sepse nuk ua dhanë vetë gratë». E ashtu bënë pasardhësit e Benjaminit. Rrëmbyen aq vajza kërcimtare sa u duheshin dhe u kthyen në trashëgiminë e tyre. I ndërtuan sërish qytetet dhe banuan në to. Atëherë edhe izraelitët u shpërndanë dhe secili shkoi te fisi, te familja dhe te trashëgimia e tij. Në atë kohë nuk kishte ende mbret në Izrael dhe secili vepronte si t'i dukej e drejtë. Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, në vend ra zia e bukës. Atëherë një njeri nga Betlehemi i Judës shkoi për të jetuar bashkë me gruan dhe me dy djemtë në krahinën e Moabit. Ai quhej Elimelek, gruaja e tij Naomi, ndërsa dy djemtë e tij Mahlon e Kilion. Ata ishin efratitë nga Betlehemi i Judës. Kur mbërritën në krahinën e Moabit dhe u vendosën atje, burri i Naomit, Elimeleku, vdiq dhe e la Naomin vetëm me dy djemtë. Dy djemtë u martuan me moabite. Njëra nga gratë quhej Orpa, ndërsa tjetra Ruta. Pas dhjetë vjetësh në atë vend, Mahloni e Kilioni vdiqën që të dy. Kështu, Naomi mbeti pa dy djemtë e pa burrin. Atëherë Naomi u ngrit dhe u largua bashkë me dy të rejat nga krahina e Moabit për t'u kthyer në Judë, sepse kishte dëgjuar në Moab se Zoti ishte kujtuar për popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë. Kështu, u largua bashkë me të rejat nga vendi ku kishte jetuar. Rrugës për t'u kthyer në tokën e Judës, Naomi u tha: «Kthehuni në shtëpitë e nënave tuaja dhe Zoti qoftë i mirë me ju, siç ishit edhe ju me mua dhe me të vdekurit e mi. Zoti ju dhëntë qetësi në shtëpitë e burrave tuaj». Dhe pastaj i puthi. Ato qanë me të madhe e i thanë: «Do të kthehemi me ty te populli yt». Por Naomi u tha: «Kthehuni bijat e mia! Përse doni të vini me mua? A mund të lind unë më djem, që të martohen me ju? Kthehuni bijat e mia! Shkoni, sepse jam shumë plakë për t'u martuar. Edhe sikur të thosha se kam ende shpresë për t'u martuar sonte dhe për të lindur bij, a do të pritnit derisa të rriteshin e nuk do të martoheshit? Jo, bijat e mia! Hidhërimi im është tepër i madh për ju, sepse dora e Zotit është ngritur kundër meje». Atëherë ato qanë përsëri me të madhe. Pastaj Orpa e puthi të vjehrrën dhe u largua, ndërsa Ruta nuk u nda prej saj. Naomi i tha: «Kunata jote u kthye te populli dhe te perënditë e saj. Shko edhe ti pas saj!». Ruta i tha: «Mos këmbëngul që të të lë vetëm e të kthehem pas. Ku të shkosh ti do të shkoj edhe unë. Ku të rrish ti do të rri edhe unë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt do të jetë Perëndia im. Ku do të vdesësh ti do të vdes edhe unë dhe po atje do të varrosem. Keq e më keq ma bëftë Zoti nëse na ndan gjë përveç vdekjes!». Kur pa se Ruta ishte e vendosur për të shkuar pas saj, Naomi nuk i tha më gjë. Të dyja vijuan rrugën derisa mbërritën në Betlehem. Kur mbërritën atje, i gjithë qyteti u pështjellua dhe gratë filluan të pyesin: «Naomi është kjo?». Naomi u tha: «Mos më quani Naomi, por më quani Mara, sepse i gjithëpushtetshmi më ka mbushur me shumë hidhërime. Ika plot me të mira, por Zoti më ktheu duarzbrazur. Përse më quani Naomi kur Zoti ka dalë kundër meje dhe i gjithëpushtetshmi ka sjellë mbi mua fatkeqësi?». Naomi u kthye në Betlehem kur po fillonte korrja e elbit. Bashkë me të, nga krahina e Moabit, u kthye edhe Ruta, moabitja, nusja e të birit. Naomi kishte një të afërm të burrit, një njeri të pasur dhe me rëndësi, që vinte nga familja e Elimelekut. Ai quhej Boaz. Ruta, moabitja, i tha Naomit: «Më lër të shkoj në arë që të mbledh kallinj gruri pas atij që do të tregohet i mirë me mua». Naomi i tha: «Shko, bija ime!». Ruta shkoi në arë dhe mblodhi kallinj pas korrësve. Rastisi që të ndodhej në pjesën e arës së Boazit, të afërmit të Elimelekut. Atëherë Boazi erdhi prej Betlehemit e u tha korrësve: « Zoti qoftë me ju!». Ata iu përgjigjën: « Zoti të bekoftë!». Pastaj Boazi pyeti shërbëtorin që mbikëqyrte korrësit: «E kujt është kjo vajzë?». Ai iu përgjigj: «Është ajo vajza moabite që u kthye me Naomin nga krahina e Moabit. M'u lut ta lija të mblidhte kallinj pas korrësve. Ka ardhur që në mëngjes dhe ka qëndruar deri tani pa shkuar fare në shtëpi ». Atëherë Boazi i tha Rutës: «Dëgjo, bija ime! Mos shko në tjetër arë për të mbledhur kallinj, por qëndro në këtë arë me shërbëtoret e mia. Mbaji sytë tek ara ku korrin dhe shko pas tyre. U kam dhënë urdhër shërbëtorëve që mos të të prekin. Po të kesh etje, shko të pish te shtambat që mbushin ata». Atëherë ajo u përkul me nderim përdhe e i tha: «Si kam gjetur hir para teje që po kujdesesh për mua, një të huaj?». Boazi iu përgjigj: «Më treguan gjithçka bëre për vjehrrën tënde pasi të vdiq burri, si le atin, nënën dhe tokën e të parëve të tu dhe erdhe te një popull që nuk e njihje më parë. Zoti të shpërbleftë për çfarë ke bërë dhe marrsh shpërblim të plotë nga Zoti, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit ke ardhur për të gjetur strehë!». Ruta i tha: «Gjetsha hir para teje, imzot, sepse më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores tënde, megjithëse unë nuk jam një nga shërbëtoret e tua». Kur erdhi koha për të ngrënë, Boazi i tha: «Eja këtu e ha pak bukë dhe ngjyeje kafshatën në uthull». Ajo u ul pranë korrësve dhe Boazi i dha kaçamak. Ruta hëngri, u ngop e i teproi. Kur Ruta u ngrit për të mbledhur kallinj, Boazi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Lëreni të mbledhë kallinj edhe mes duajve e mos i thoni gjë. Këpusni edhe disa kallinj për të dhe lërini që t'i mbledhë, por mos i thoni gjë». Ruta mblodhi kallinj në fushë deri në darkë. Pastaj i shiu kallinjtë që kishte mbledhur dhe u bënë rreth tridhjetë kilogramë elb. E ngarkoi, shkoi në qytet dhe i tregoi vjehrrës ç'kishte mbledhur. Pastaj nxori çfarë i kishte tepruar nga dreka e ia dha. E vjehrra i tha: «Ku mblodhe kallinj sot? Ku punove? Bekuar qoftë ai që u kujdes për ty!». Atëherë Ruta i tregoi së vjehrrës se te kush kishte punuar e i tha: «Sot punova te një njeri që quhej Boaz». Dhe Naomi i tha të resë: «Atë e bekoftë Zoti që nuk ka hequr dorë nga mirësia për të gjallët e për të vdekurit!». Pastaj i tha: «Është i afërmi ynë, një nga ata që kanë të drejtën të kujdesen për ne». Ruta, moabitja, i tha: «Ai më tha edhe të qëndroj me shërbëtorët e tij derisa të përfundojë korrja e arave të tij». Atëherë Naomi i tha Rutës, të resë: «Është mirë që do të dalësh me shërbëtoret e tij, bija ime, që mos të të bëj keq njeri në ndonjë arë tjetër». Kështu, Ruta qëndroi me shërbëtoret e Boazit për të mbledhur kallinj derisa përfundoi korrja e elbit dhe e grurit. Ajo banonte me vjehrrën e saj. Naomi, e vjehrra, i tha Rutës: «Bija ime, do të kërkoj për ty një shtëpi të qetë ku të jesh e lumtur. Boazi, me shërbëtoret e të cilit mblodhe kallinj, është i afërmi ynë. Ja, sonte ai do të shijë elbin në lëmë. Lahu, lyhu me erë të mirë, hidh mbulojën dhe shko te lëmi, por mos e lër të të shohë derisa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri. Kur të shtrihet, shiko vendin ku fle dhe pastaj shko, zbulo këmbët e tij dhe shtrihu aty. Do të të thotë ai se çfarë duhet të bësh». Ruta iu përgjigj: «Do të bëj gjithçka që më the». Pastaj shkoi në lëmë dhe bëri siç e kishte porositur e vjehrra. Boazi hëngri e piu sa iu kënaq zemra dhe shkoi të shtrihet pranë pirgut të elbit. Fshehurazi shkoi edhe Ruta, ia zbuloi këmbët dhe u shtri. Aty nga mesi i natës, Boazi u drodh në gjumë dhe, kur u kthye në krahun tjetër, pa një grua të shtrirë te këmbët e tij. Ai e pyeti: «Kush je ti?». Ajo iu përgjigj: «Jam unë, Ruta, shërbëtorja jote. Shtrije mbulesën mbi shërbëtoren tënde, sepse ti ke të drejtën të kujdesesh për mua». Atëherë Boazi i tha: «Të bekoftë Zoti, bija ime, sepse tani ke treguar mirësi edhe më të madhe se më parë, duke mos shkuar pas djemve të rinj, të varfër a të pasur. Prandaj, mos ki frikë, bija ime. Do t'i bëj të gjitha ato që thua, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë se ti je një grua e virtytshme. Është e vërtetë që unë jam një nga të afërmit që ka të drejtën të kujdeset për ty, por është edhe një tjetër, më i afërt se unë. Sonte rri këtu. Nëse në mëngjes ai merr përsipër të kujdeset për ty, mirë; le të kujdeset ai për ty. Nëse ai nuk do të dojë të kujdeset për ty, atëherë pasha Zotin do të kujdesem unë. Shtrihu e fli deri në mëngjes». Ruta u shtri për të fjetur te këmbët e Boazit deri në mëngjes dhe u ngrit para se ta dallonte njeri, sepse Boazi i kishte thënë që të mos e merrte vesh njeri se Ruta kishte shkuar në lëmë. Boazi i tha: «Hiqe shallin që ke veshur dhe mbaje!». Ruta e mbajti dhe Boazi i hodhi gjashtë masa elbi. Pastaj ia hodhi mbi supe dhe u kthye në qytet. Kur Ruta u kthye tek e vjehrra, ajo i tha: «Si shkoi, bija ime?». Atëherë Ruta i tregoi gjithçka që kishte bërë Boazi për të dhe shtoi: «Më dha edhe këto gjashtë masa elbi e më tha: “Mos u kthe duarzbrazur te vjehrra jote”». Naomi i tha: «Qëndro këtu, bija ime, derisa të marrësh vesh sesi do të shkojë kjo punë. Boazi nuk do të rrijë pa e mbaruar sot këtë gjë». Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul. Në atë kohë po kalonte i afërmi tjetër për të cilin kishte folur. Boazi i tha: «O mik, eja e ulu këtu». Ai u kthye dhe u ul. Mori edhe dhjetë nga pleqtë e qytetit e u tha: «Uluni këtu!». Ata u ulën. Pastaj i tha të afërmit tjetër: «Naomi, që u kthye nga krahina e Moabit, ka nxjerrë në shitje pjesën e arës që i takon vëllait tonë Elimelekut. Mendova të të vë në dijeni që ta blesh në prani të këtyre që janë ulur këtu e të pleqve të popullit tim. Nëse do ta blesh, blije; nëse nuk do, më thuaj, që ta di. Të drejtën për ta trashëguar e ke ti, por pas teje e kam unë». Ai i tha Boazit: «Do ta blej». Atëherë Boazi i tha: «Ditën që do të marrësh arën nga dora e Naomit, do të marrësh edhe Rutën, moabite, gruan e të ndjerit, e do të mbash gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij». Ai iu përgjigj: «Atëherë, nuk e blej dot, sepse nuk dua të shkatërroj trashëgiminë time. Merre ti të drejtën time, sepse unë nuk mund ta blej». Asokohe, në Izrael, për blerjen e të drejtës së trashëgimisë dhe për ndryshimin e titullit të pronësisë, zakoni e donte të hiqej sandalja dhe t'i jepej tjetrit në shenjë miratimi për çdo marrëveshje. Në Izrael, kjo shërbente si provë. Kështu, i afërmi që kishte të drejtën e trashëgimisë i tha Boazit: «Blije ti» dhe hoqi sandalen. Boazi u tha pleqve dhe të gjithë popullit që ishte aty: «Sot jeni dëshmitarë se unë po blej nga dora e Naomit gjithçka që i përkiste Elimelekut dhe gjithçka që i përkiste Kilionit e Mahlonit. Po ashtu sot jeni dëshmitarë se po marr për grua Rutën nga Moabi, të venë e Mahlonit, për të mbajtur gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij, që emri i të ndjerit të mos shuhet mes emrave të të vëllezërve dhe mes banorëve të qytetit». Pleqtë dhe të gjithë ata që ishin te portat e qytetit thanë: «Jemi dëshmitarë. Gruan që do të hyjë në shtëpinë tënde Zoti e bëftë si Rakelën dhe si Lean, që e mbushën me pasardhës shtëpinë e Izraelit. U pasurofsh në Efratë dhe emri yt qoftë i njohur në Betlehem! Nga pasardhësi që do të të japë Zoti prej kësaj gruaje, u bëftë shtëpia jote si shtëpia e Perecit që i lindi Judës nga Tamara!». Atëherë Boazi e mori Rutën për grua dhe fjeti me të. Zoti e bekoi Rutën. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Gratë e qytetit i thanë Naomit: «I bekuar qoftë Zoti, se nuk të la sot pa trashëgimtar që t'i kujtohet emri në Izrael. Ai do të ta gjallërojë shpirtin dhe do të të mbajë në pleqëri, sepse ta lindi e reja që të do aq shumë dhe që është më e mirë për ty se shtatë djem». Naomi e mori djalin, e vuri në prehër dhe u kujdes për ta rritur. Fqinjat e Naomit thanë: «Naomi u bë me djalë». Prandaj dhe i vunë emrin Obed. Ai është i ati i Jeseut, që është i ati i Davidit. Këta janë pasardhësit e Perecit: Perecit i lindi Hecroni, Hecronit i lindi Rami, Ramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Nahshoni, Nahshonit i lindi Salmoni, Salmonit i lindi Boazi, Boazit i lindi Obedi, Obedit i lindi Jeseu dhe Jeseut i lindi Davidi. Ishte një herë një burrë prej Ramahut, një cofit nga malet e Efraimit, që quhej Elkanah. Ai ishte biri i Jerohamit, të birit të Elihuit, të birit të Tohuit, të birit të Cuf Efratitit. Elkanahu kishte dy gra. Njëra quhej Ana, tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, ndërsa Ana jo. Ky njeri nisej për vit nga qytetit i tij e shkonte në Shiloh për të adhuruar e për t'i kushtuar fli Zotit të ushtrive. Atje shërbenin si priftërinj të Zotit dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi. Kur kushtonte fli, Elkanahu u jepte nga një pjesë të flisë Peninës, gruas së tij, dhe tërë bijve e bijave të saj, ndërsa Anës i jepte vetëm një pjesë, sepse, edhe pse e donte, Zoti e kishte lënë beronjë. Anën e mundonte edhe kundërshtarja e saj që e thumbonte për shkak se Zoti e kishte lënë beronjë. Kështu ndodhte çdo vit. Sa herë që shkonte në shtëpinë e Zotit, kundërshtarja e thumbonte dhe ajo qante e nuk hante. Elkanahu, i shoqi, i thoshte: «Përse qan e nuk ha? Përse je e trishtuar? A nuk jam unë për ty më i mirë sesa dhjetë djem?». Një herë, pasi patën ngrënë e pirë në Shiloh, Ana u ngrit ndërsa prifti Eli rrinte ulur në ndenjëse, në të hyrë të tempullit të Zotit. Me shpirt të këputur, ajo iu lut Zotit e vajtoi me dënesë duke iu betuar: «O Zot i ushtrive, në e pafsh mjerimin e shërbëtores tënde, në e kujtofsh e në mos e harrofsh shërbëtoren tënde, në më dhënç një trashëgimtar, ty, o Zot, do të ta kushtoj tërë jetën e tij e brisku nuk ka për t'ia prekur flokun e kokës». Ndërsa i lutej ende Zotit, Eliu po vështronte buzët e saj. Ana po lutej në zemrën e saj, vetëm duke lëvizur buzët e pa bërë zë. Kështu, Eliu kujtoi se kishte pirë, prandaj edhe i tha: «Edhe sa kohë do të rrish e dehur? Mos pi më verë!». Ana iu përgjigj: «Jo, imzot, nuk kam pirë as verë, as pije të forta. Më dhemb shpirti, prandaj dhe po ia zbraz zemrën Zotit. Mos kujto se shërbëtorja jote është grua e pahijshme. Gjithë kësaj kohe jam lutur për shkak të mjerimit dhe dëshpërimit tim të madh». Atëherë Eliu i tha: «Shko në paqe. Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!». Ajo i tha: «Gjettë hir para teje shërbëtorja jote!». Pastaj shkoi udhës së vet, hëngri dhe nuk pati më fytyrë të trishtuar. Të nesërmen u ngritën herët në mëngjes, adhuruan Zotin dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu fjeti me Anën, gruan e tij, dhe Zoti e kujtoi. Kur u plotësuan ditët, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Ajo e quajti Samuel, sepse tha: « Zotit ia kërkova!». Elkanahu me mbarë familjen e tij shkoi për t'i kushtuar flinë vjetore Zotit dhe për të përmbushur kushtin e tij. Por Ana nuk shkoi me të, sepse i tha të shoqit: «Vetëm pasi ta ndaj nga gjiri do ta sjell djalin e do ta paraqes te Zoti, që të jetojë atje përherë». Elkanahu, i shoqi, iu përgjigj: «Bëj si të të duket më mirë. Rri derisa ta ndash nga gjiri. Zoti e përmbushtë fjalën e tij!». Kështu, Ana ndenji për të mëkuar të birin derisa e ndau nga gjiri. Pasi e ndau nga gjiri, ajo e solli të birin në Shiloh bashkë me një mëzat tre vjeçar, një kilogram miell dhe një kacek vere. Djaloshi ishte ende i vogël. Si e therën mëzatin, e sollën djaloshin tek Eliu dhe ajo tha: «Të lutem, imzot, pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati ndenjur me ty këtu duke iu lutur Zotit. Për këtë djalë u luta dhe Zoti ma plotësoi kërkesën që i bëra. Prandaj dhe unë po ia fal Zotit. Sa të jetë gjallë, djaloshi do t'i përkasë Zotit ». Atëherë Ana u lut: «Zemra ime ngazëllohet në Zotin, Zoti ma ngriti ballin lart. Kam gojë të flas para armiqve të mi, se në shpëtimin tënd gjej gëzim. S'ka të shenjtë si Zoti, përveç teje s'ka tjetër. Nuk ka shkëmb përveç Perëndisë tonë. Mjaft me mburrjet e me buzët krenare, se Zoti është Perëndi i urtë, çdo vepër ai e peshon. Harku i trimave thyhet, të këputurit ngjishen me fuqi. Të ngopurit shesin veten për një copë bukë, ndërsa skamnorët s'kanë më uri. Lind beronja shtatë fëmijë, por shuhet gruaja me shumë bij. Zoti vret e sjell në jetë, plandos në skëterrë e ngre që andej. Zoti varfëron e pasuron, përul e lartëson. Ngre nga pluhuri të vobektin, prej hedhurinave të varfrin, që ta ulë me fisnikët e t'i japë për trashëgimi fronin e nderit, se Zotit i përkasin shtyllat e tokës, mbi to botën e vendosi ai. Ai ruan këmbët e besnikëve të tij, të paudhët do të heshtin në terr, se prej forcës s'do të ngadhënjejë njeri. Kundërshtarët e Zotit do të dërrmohen, kur prej qiellit ai të shkreptijë. Do ta gjykojë Zoti çdo skaj të tokës e fuqi do t'i japë mbretit të tij, do t'ia ngrejë kokën lart të vajosurit të vet». Elkanahu u kthye në shtëpinë e vet në Ramah. Djaloshi ndenji për t'i shërbyer Zotit në prani të priftit Eli. Bijtë e Eliut ishin fëmijë të pahijshëm. Ata nuk donin t'ia dinin për Zotin. Kështu e kishin zakon priftërinjtë të silleshin me popullin. Kur ndokush flijonte fli, dilte djali i priftit me sfurk tredhëmbësh në dorë, ndërsa ziente mishi, e zhyste në legen, në kazan, në tavë, apo në kusi dhe çfarëdo që kapte sfurku e merrte për priftin. Ata vepronin kështu me tërë izraelitët që vinin në Shiloh. Madje ndodhte që para se të digjej dhjami, vinte djali i priftit e u thoshte atyre që kushtonin fli: «Më jepni mish që ta pjek për priftin, sepse ai do mish të gjallë e jo të zier». Edhe pse njerëzit i përgjigjeshin: «Merr ç'të duash, por na lër të djegim dhjamin», ai u përgjigjej: «Jo, ma jepni tani, përndryshe do t'jua marr me forcë!». Mëkati i djemve ishte shumë i rëndë para Zotit, sepse po përbuznin flinë e Zotit. Djaloshi Samuel shërbente në prani të Zotit veshur me efod prej liri. E ëma i punonte një gunëz që ia sillte për vit sa herë që vinte bashkë me të shoqin për flinë vjetore. Eliu bekonte Elkanahun e të shoqen: « Zoti të dhëntë trashëgimtarë të tjerë përmes kësaj gruaje, në vend të djalit që ajo ia fali Zotit ». Atëherë ata ktheheshin në vendin e vet. Zoti e pa me sy të mirë Anën, ajo mbeti shtatzënë dhe lindi tre djem e dy vajza. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në prani të Zotit. Eliu, në moshë të thyer, mori vesh për gjithçka që bijtë e tij u bënin izraelitëve dhe se ata flinin me gratë që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit. Ai u tha: «Përse silleni kështu? Po dëgjoj fjalë të këqija prej gjithë popullit. Mos, bijtë e mi! Nuk po dëgjoj fjalë të mira nga populli i Zotit. Nëse dikush mëkaton kundër njeriut, Perëndia është ai që ndërmjetëson, por nëse mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërmjetësojë për të?». Megjithatë, ata nuk ia dëgjuan fjalën të atit, se Zoti kishte vendosur t'i vriste. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në shtat. Njerëzit dhe Zoti e kishin për zemër. Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eliu e i tha se kështu thotë Zoti: «Unë iu dëftova shtëpisë së atit tënd kur ishte ende në Egjipt, nën shtëpinë e faraonit. E zgjodha për prift nga tërë fiset e Izraelit që të dalë para altarit tim për të djegur temjan e për të veshur efodin në praninë time. Tërë flitë e zjarrit që kushtojnë izraelitët ia dhashë shtëpisë së atit tënd. Përse, pra, lakmoni edhe flitë e kushtimet e mia që i urdhërova plot zell? Përse i nderon bijtë e tu më shumë se mua? U majmët duke ngrënë pjesët më të mira të çdo flije që kushton Izraeli, populli im, prandaj, kumton Zoti, Perëndia i Izraelit: ja, po vijnë ditët kur do të t'i pres krahët ty dhe shtëpisë së atit tënd, që askush prej shtëpisë sate të mos arrijë ditët e pleqërisë. Do t'i shohësh me smirë të mirat e Izraelit, se askush prej shtëpisë sate nuk do t'i arrijë ditët e pleqërisë. Vetëm njërin prej të tuve nuk do ta heq prej altarit tim, por edhe atij do t'i mpaken sytë e do t'i pikëllohet shpirti, ndërsa shumica e familjes tënde do të vdesë në moshën e burrërisë. Kjo do të shërbejë si shenjë për ty: të dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, do të vdesin në të njëjtën ditë. Do të ngre për vete një prift besnik që do të bëjë ç'kam në zemër e në shpirt. Atij do t'i ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme dhe ai do të shërbejë gjatë gjithë jetës në prani të të vajosurit tim. E, kush të mbetet prej familjes sate do t'i përgjërohet për një kacidhe argjendi apo për një fetë buke e do t'i thotë: “Më lejo, të lutem, të shërbej si prift që të kem një kafshatë bukë!”». Djaloshi Samuel i shërbente Zotit në prani të Eliut. Asokohe fjala e Zotit dëgjohej rrallë dhe nuk kishte vegime të shpeshta. Një herë Eliu ishte shtrirë në shtrojën e vet. Ai nuk shihte mirë ngaqë po e linin sytë. Edhe Samueli ishte shtrirë në tempullin e Zotit, aty ku ishte arka e Perëndisë. Llamba e Perëndisë nuk ishte ndezur ende. Atëherë Zoti e thirri Samuelin e ai u përgjigj: «Ja ku jam!». Pastaj vrapoi drejt Eliut duke i thënë: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra. Shko e fli!». Kështu, iku e ra të flinte. Zoti e thirri sërish Samuelin. Ai u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra, biri im. Shko e fli!». Samueli nuk e kishte njohur ende Zotin dhe fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar. Zoti e thirri sërish për të tretën herë. Samueli u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Atëherë Eliu e kuptoi që djaloshin po e thërriste Zoti, prandaj i tha: «Shko e fli! Nëse të thërret sërish thuaj: “Fol, o Zot, se shërbëtori yt po dëgjon”». Kështu, Samueli shkoi e ra në shtrojën e vet. Zoti erdhi, qëndroi atje dhe e thirri si më parë: «Samuel, Samuel!». Atëherë Samueli u përgjigj: «Fol, se shërbëtori yt po dëgjon». Zoti i tha: «Ja, do të bëj diçka në Izrael, që kur ta dëgjojnë, do t'u buçasin veshët. Atë ditë do të përmbush fund e krye gjithçka thashë kundër Eliut e shtëpisë së tij. I kisha treguar që do ta dënoja përgjithmonë shtëpinë e tij, sepse, edhe kur i mori vesh fajet e djemve, nuk i qortoi. Prandaj iu betova shtëpisë së Eliut, se faji i tyre nuk do të shlyhet kurrë as me fli e as me kushte». Samueli fjeti deri në mëngjes e pastaj hapi portat e shtëpisë së Zotit. Ai kishte frikë t'ia tregonte Eliut vegimin. Eliu e thirri e i tha: «Samuel, biri im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». Eliu i tha: «Çfarë të tha? Mos ma fsheh! Keq e më keq ta bëftë Perëndia, nëse më fsheh ndonjë gjë prej fjalëve që të tha». Atëherë Samueli ia tregoi të gjitha pa fshehur gjë. Dhe Eliu u përgjigj: « Zoti bëftë si t'i duket më mirë!». Samueli u rrit. Zoti ishte me të e nuk lejoi t'i shkonte fjala më kot. Mbarë Izraeli, prej Danit deri në Bershebë, e mori vesh se Samueli ishte caktuar profet i Zotit. Zoti vazhdoi të shfaqej në Shiloh, se Zoti i zbulohej Samuelit atje përmes fjalës së tij. Fjala e Samuelit i drejtohej gjithë Izraelit. Izraeli u ngrit e shkoi në luftë kundër filistinëve. Ata fushuan në Eben Ezer, ndërsa filistinët në Apek. Filistinët u renditën kundër Izraelit dhe, pasi u përhap lufta, Izraeli u mund. Ata vranë në fushëbetejë katër mijë burra. Populli u kthye në fushim dhe pleqësia e Izraelit doli e tha: «Përse i la Zoti filistinët të na mundnin? Merreni pra arkën e besëlidhjes së Zotit prej Shilohut e silleni këtu mes nesh, që të na shpëtojë nga dora e armikut». Kështu, populli dërgoi disa njerëz në Shiloh dhe ata e sollën arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtrive që rri mbi kerubë. Të dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, ishin me arkën e besëlidhjes së Perëndisë. Porsa mbërriti arka e besëlidhjes së Zotit në fushim, gjithë Izraeli brohoriti fort saqë ushtoi toka. Filistinët e dëgjuan brohoritjen e thanë: «Ç'është ky kushtrim kaq i fortë që vjen nga fushimi i hebrenjve?». Kur e morën vesh që kishte ardhur arka e Zotit, u trembën e thanë: «Paska ardhur një perëndi në fushim! Mjerë ne! Kjo s'ka ndodhur ndonjëherë! Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga dora e këtyre perëndive të fuqishëm? Këta perëndi goditën Egjiptin me çdo lloj plage në shkretëtirë. Por, merrni zemër e bëhuni burra, o filistinë, përndryshe do t'u shërbeni hebrenjve siç na shërbyen ata neve! Bëhuni burra e luftoni!». Atëherë filistinët luftuan dhe Izraeli u mund. Të gjithë ua mbathën nëpër tendat e veta dhe u bë gjakderdhje e madhe. Prej Izraelit u vranë tridhjetë mijë ushtarë. U morën edhe arkën e Perëndisë dhe dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë. Po atë ditë erdhi me vrap në Shiloh një burrë nga beteja. Ai ishte benjaminas dhe i kishte petkat e grisura e kryet me dhe. Teksa vinte, Eliu ishte ulur në ndenjëse buzë rrugës e po vështronte i shqetësuar për shkak të arkës së Perëndisë. Burri hyri në qytet, i njoftoi e i gjithë qyteti klithi. Kur i dëgjoi britmat, Eliu pyeti: «Ç'janë këto britma?». Burri nxitoi e i tregoi Eliut, që tashmë ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç dhe nuk shihte, pasi e kishin lënë sytë. Burri i tha: «Unë jam ai që mbërriti nga beteja. Sot ia mbatha». Eliu e pyeti: «Po bijtë e mi?». Lajmëtari iu përgjigj: «Izraeli ia mbathi para filistinëve. Populli u bë kasaphanë dhe dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, mbetën të vrarë. U mor edhe arka e Perëndisë». Kur dëgjoi të përmendet arka e Perëndisë, Eliu ra me kurriz nga ndenjësja ndanë portës, theu qafën e vdiq, se ishte në moshë e në peshë. Ai kishte qenë gjyqtar në Izrael për dyzet vjet. E reja e tij, gruaja e Finehasit, ishte shtatzënë. Kur dëgjoi lajmin për kapjen e arkës së Perëndisë dhe për vdekjen e të vjehrrit e të shoqit, e kapën dhimbjet e lindjes dhe lindi. Teksa po jepte shpirt, gratë përreth i thanë: «Mos ki frikë, se linde djalë». Por ajo as u gjegj, as bëzajti. Djaloshin e quajti Ikabod, se tha: «I iku lavdia Izraelit», për shkak se arka e Perëndisë u mor dhe se i vdiq i vjehrri dhe i shoqi. Ajo tha: «I iku lavdia Izraelit, sepse u mor arka e Perëndisë». Filistinët e morën arkën e Perëndisë nga Eben Ezeri dhe e sollën në Ashdod. Pasi e morën arkën e Perëndisë, e sollën te tempulli i Dagonit dhe e vendosën përbri Dagonit. Kur banorët e Ashdodit u gdhinë të nesërmen, panë se Dagoni kishte rënë me fytyrë përtokë para arkës së Zotit. E morën dhe e vendosën në vendin e vet. Kur u gdhinë të nesërmen, panë se Dagoni kishte rënë sërish me fytyrë përtokë para arkës së Zotit. Koka dhe dy pëllëmbët e Dagonit ishin këputur nga trupi dhe kishte mbetur vetëm trupi. Prandaj edhe sot e kësaj dite priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që vijnë te tempulli i tij nuk e shkelin pragun e Dagonit në Ashdod. Dora e Zotit i goditi rëndë ashdoditët, ngaqë e dërrmoi dhe e goditi me çibanë Ashdodin dhe rrethinat e tij. Si e panë ashdoditët se çfarë ndodhi, thanë: «Të mos qëndrojë më arka e Perëndisë së Izraelit mes nesh, se ai po na godet rëndë ne dhe Dagonin, perëndinë tonë». Atëherë çuan fjalë, thirrën të gjithë prijësit e filistinëve e u thanë: «Ç'të bëjmë me arkën e Perëndisë së Izraelit?». Ata u përgjigjën: «Ta çojmë në Gat». Dhe kështu bënë me arkën e Perëndisë së Izraelit. Si e sollën, dora e Zotit u shtri kundër qytetit, të cilin e kaploi një tmerr i madh. Ai i goditi me çibanë njerëzit e qytetit, nga më i madhi te më i vogli. Pastaj e çuan arkën e Perëndisë në Ekron. Por teksa e çonin në Ekron, banorët thirrën: «Po na e sjellin arkën e Perëndisë së Izraelit që të na vrasin ne dhe popullin tonë». Ata çuan fjalë, thirrën të gjithë prijësit e filistinëve e u thanë: «Largojeni arkën e Perëndisë së Izraelit, lëreni të kthehet në vendin e vet, që të mos vdesim ne dhe populli ynë». Mbarë qytetin e kishte kapluar tmerri i vdekjes, sepse dora e Zotit po i godiste rëndë edhe atje. Kush nuk vdiste, e zinin çibanët. Atëherë klithma e qytetit u dëgjua deri në qiell. Arka e Zotit ndodhej në krahinën e filistinëve prej shtatë muajsh. Filistinët thirrën priftërinjtë e shortarët e u thanë: «Çfarë të bëjmë me arkën e Zotit? Na tregoni si ta dërgojmë në vendin e vet?». Ata u përgjigjën: «Nëse e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e dërgoni duarzbrazur, por me fli faji. Atëherë do të shëroheni e do ta dini përse dora e tij po ju shtypte». Ata thanë: «Çfarë t'i çojmë si fli faji?». Ata u përgjigjën: «Pesë lytha të artë e pesë minj të artë për çdo prijës filistin, se me këto u goditët ju të gjithë e prijësit tuaj. Bëni shëmbëlltyra lythash e minjsh që shkretuan tokën. Kështu do t'i jepni lavdi Perëndisë së Izraelit e ndoshta ai do ta lehtësojë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë e tokat tuaja. Përse i ngurtësoni zemrat më kot, siç i ngurtësoi Egjipti e faraoni? A nuk i lanë ata izraelitët të shkojnë, pasi Zoti u soll ashpër me ta? Prandaj bëni një qerre të re, merrni dy lopë qumështore që nuk janë vënë kurrë në zgjedhë e mbrehini në qerre, ndërsa viçat e tyre mbajini në stallë. Merreni pastaj arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre bashkë me sendet e arta që do t'i sillni si fli faji. Ato vendosini në një kuti përbri. Niseni qerren për udhë. Nëse vini re se ngjitet udhës për Bet Shemesh, atëherë paska qenë Perëndia ai që na ka goditur me këtë fatkeqësi të madhe. Nëse jo, dijeni se nuk ishte dora e tij, por ishte rastësi». Kështu vepruan. Morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre, ndërsa viçat e tyre i mbajtën në stallë. E vendosën arkën e Zotit në qerre bashkë me kutinë, me minjtë e artë e me shëmbëlltyrat e lythave të tyre. Lopët filluan të ecnin drejt udhës për në Bet Shemesh. Ecnin drejt duke pëllitur e nuk shmangeshin as majtas, as djathtas, dhe prijësit e filistinëve i ndiqnin pas derisa mbërritën në kufi të Bet Shemeshit. Ndërkohë në Bet Shemesh korrësit po korrnin grurin nëpër luginë. Kur ngritën sytë e panë arkën, u gëzuan. Qerrja mbërriti e qëndroi tek ara e Jozuehut. Aty ndodhej një gur i madh. Atëherë i thyen drutë e qerres e ia kushtuan lopët Zotit si fli shkrumbimi. Levitët e ulën arkën e Zotit bashkë me kutinë që mbante orenditë e arta e i vunë mbi gurin e madh. Atë ditë populli i Bet Shemeshit i kushtoi Zotit fli shkrumbimi e flijime. Pesë prijësit e filistinëve e panë dhe u kthyen po atë ditë në Ekron. Këto janë lythat e artë që çuan filistinët si fli faji për Zotin: një për Ashdodin, një për Gazën, një për Ashkelonin, një për Gatin e një për Ekronin. Edhe pesë minjtë e artë ishin sipas numrit të qyteteve filistine që u përkisnin pesë prijësve, duke përfshirë qytetet e fortifikuara dhe fshatrat e parrethuara. Guri i madh mbi të cilin u vendos arka e Zotit gjendet edhe sot e kësaj dite në fushën e Jozuehut, në Bet Shemesh. Perëndia goditi disa banorë të Bet Shemeshit, sepse vështruan arkën e Zotit. Ai goditi shtatëdhjetë vetë prej pesëdhjetë mijë banorëve dhe populli vajtoi, se Zoti i kishte goditur rëndë. Atëherë banorët e Bet Shemeshit thanë: «Kush mund të qëndrojë para Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? E kujt do t'ia çojmë?». Ata u çuan fjalë banorëve të Kirjat Jearimit e u thanë: «Filistinët na e kthyen arkën e Zotit. Ejani e merreni!». Disa njerëz nga Kirjat Jearimi erdhën dhe e morën arkën e Zotit. E sollën te shtëpia e Abinadabit, në një kodër, dhe shuguruan birin e tij, Eleazarin, që të përkujdesej për arkën e Zotit. Gjatë gjithë kohës që arka qëndroi në Kirjat Jearim, dhe ajo qëndroi aty për një kohë të gjatë, njëzet vjet, tërë shtëpia e Izraelit i përgjërohej Zotit. Atëherë Samueli i tha tërë shtëpisë së Izraelit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër drejt Zotit, hiqini prej mesit tuaj perënditë e huaja dhe Ashtarotën. Përkushtojuni me zemër Zotit, shërbejini vetëm atij e ai do t'ju shpëtojë prej dorës së filistinëve». Izraelitët i hoqën Baalët e Ashtarotën dhe i shërbyen vetëm Zotit. Samueli u tha: «Mblidhni gjithë Izraelin në Micpah, që t'i lutem Zotit për ju». Si u mblodhën në Micpah, nxorën ujë, e derdhën para Zotit dhe atë ditë agjëruan aty duke thënë: «Kemi mëkatuar para Zotit ». Samueli ishte gjyqtar i Izraelit në Micpah. Filistinët dëgjuan se izraelitët ishin mbledhur në Micpah dhe dërguan princat kundër tyre. Kur e morën vesh këtë, izraelitët patën frikë prej filistinëve, prandaj i thanë Samuelit: «Lutu për ne pa pushim që, Zoti, Perëndia ynë, të na shpëtojë nga dora e filistinëve». Atëherë Samueli mori një qengj qumështor e ia kushtoi Zotit si fli shkrumbimi. Pastaj i thirri Zotit për hir të Izraelit e Zoti iu përgjigj. Teksa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistinët u afruan të sulmonin Izraelin. Por Zoti i hutoi duke gjëmuar fort kundër filistinëve atë ditë, prandaj ata ia mbathën para Izraelit. Izraelitët i ndoqën prej Micpahut e u ranë deri në Bet Har. Atëherë Samueli mori një gur, e vendosi mes Micpahut e Shenit dhe e quajti Eben Ezer, sepse tha: «Deri këtu na ndihmoi Zoti ». Kështu, filistinët u mposhtën e nuk i shkelën më tokat e Izraelit. Dora e Zotit i shtypi filistinët gjatë gjithë jetës së Samuelit. Izraelit iu rikthyen qytetet që filistinët kishin kapur më parë, nga Ekroni deri në Gat. Izraeli i çliroi tokat e veta prej duarve të filistinëve dhe bëri paqe edhe me amoritët. Samueli qe gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së vet. Ai kthehej çdo vit në Betel, në Gilgal, në Micpah dhe shërbente si gjykatës i Izraelit në gjithë këto vende. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet, në Ramah. Atje shërbente si gjyqtar i Izraelit. Atje ndërtoi edhe një altar për Zotin. Samueli u plak e i caktoi bijtë e vet gjyqtarë të Izraelit. Djali i madh quhej Joel, ndërsa i vogli Abijah. Ata ishin gjyqtarë në Bershebë. Por bijtë e tij nuk ecnin në gjurmët e të atit. Ata ishin të dhënë pas përfitimit e mitëmarrjes dhe shtrembëronin të drejtën. Atëherë tërë pleqësia e Izraelit u mblodh, shkoi te Samueli në Ramah e i thanë: «Ja, ti u plake e bijtë e tu nuk ecin në gjurmët e tua, prandaj na cakto tani një mbret që të na gjykojë, siç bëjnë gjithë kombet». Kërkesa për mbret nuk i pëlqeu Samuelit, prandaj iu lut Zotit, por Zoti i tha Samuelit: «Dëgjoje zërin e popullit për gjithçka që thotë, se nuk po të përbuzin ty, por mua, që të mos mbretëroj më unë mbi ta». Po sillen me ty siç kanë bërë me mua që nga dita kur i nxora nga Egjipti e deri më sot. Më braktisin që t'u shërbejnë perëndive të tjerë. Prandaj dëgjojua fjalën, por paralajmëroi mirë e tregoju për të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta. Samueli ia tregoi të gjitha fjalët e Zotit popullit që po i kërkonte mbret. Ai u tha: «Këto janë të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ju: do t'i marrë bijtë tuaj për t'i bërë kalorës, për t'i vendosur nëpër karroca e për të vrapuar para karrocave të veta. Do t'i vendosë për të drejtuar njësitë e veta prej një mijë apo pesëdhjetë ushtarësh, për të lëvruar tokën e vet, për të korrur të mbjellat e veta, për të përgatitur armë për luftrat e veta apo mjete për karrocat e veta. Do t'i marrë edhe bijat tuaja për t'i bërë punuese vajrash erëmirë, gjellëbërëse apo bukëpjekëse. Do të marrë arat, vreshtat e ullishtat tuaja më të mira për t'ua dhënë oborrtarëve të vet. Do t'ju marrë të dhjetën prej të mbjellave e vreshtave, për t'ua dhënë zyrtarëve e oborrtarëve të vet. Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret e djelmoshat tuaj më të mirë, si dhe gomarët tuaj për punën e vet. Do t'ju marrë të dhjetën prej dhenve e ju do të bëheni shërbëtorët e tij. Atë ditë do të thërrisni për ndihmë, për shkak të mbretit që zgjodhët për vete, por Zoti nuk do t'ju përgjigjet». Populli nuk deshi t'ia dëgjonte fjalën Samuelit e u përgjigj: «Jo, duam mbret. Duam që edhe ne të jemi si gjithë kombet e tjera. E duam mbretin që të na gjykojë, të na prijë e të luftojë për ne». Atëherë Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit. Dhe Zoti i tha: «Dëgjoje zërin e popullit. Zgjidh një mbret për ta». Atëherë Samueli u tha izraelitëve: «Secili të kthehet në qytetin e vet». Asokohe jetonte një benjaminas, me emrin Kish. Ai ishte një fisnik benjaminas, biri i Abielit, të birit të Cerorit, të birit të Bekoratit, të birit të Afijahut. Ai kishte një djalë të hijshëm që quhej Saul. Në mbarë Izraelin nuk kishte burrë më të hijshëm se ai. Ai ishte shtatlartë, një kokë më lart se tërë populli. Kishit, të atit të Saulit, i kishin humbur gomaricat, prandaj dhe i tha Saulit, të birit: «Merr me vete një prej djelmoshave e shko të kërkosh gomaricat». Ata përshkuan malësinë e Efraimit dhe tokën e Shalishës, por nuk i gjetën. Kaluan pastaj nëpër tokën e Shalimit, por nuk ishin as aty. Përshkuan edhe tokën e Benjaminit, por nuk i gjetën. Kur arritën në tokën e Cufit, Sauli i tha djaloshit që ishte me të: «Eja të kthehemi, përndryshe im atë në vend që të shqetësohet për gomaricat do të shqetësohet për ne». Ai iu përgjigj: «Në këtë qytet gjendet një njeri i Perëndisë. Ai është njeri me peshë dhe çdo gjë që thotë, ndodh. Eja të shkojmë atje. Ndoshta do të na tregojë për udhëtimin tonë». Sauli i tha shërbëtorit: «Çfarë do t'i çojmë po të shkojmë? Nuk kemi më bukë në strajca e asnjë dhuratë për t'ia dhënë njeriut të Perëndisë. Nuk kemi asgjë». Shërbëtori iu përgjigj sërish: «Ja, kam në dorë një monedhë të vogël argjendi, po ia jap njeriut të Perëndisë që të na udhëzojë për udhëtimin tonë». Asokohe, në Izrael, për njerëzit që donin të pyesnin Perëndinë ishte zakon të thoshin: «Ejani të shkojmë te vegimtari», sepse në atë kohë profetët e sotëm quheshin vegimtarë. Atëherë Sauli i tha shërbëtorit: «Mirë thua, eja të shkojmë». Dhe shkuan në qytetin ku gjendej njeriu i Perëndisë. Teksa po ngjitnin të përpjetën e qytetit, takuan disa vajza që kishin dalë për të nxjerrë ujë e u thanë: «A është këtu vegimtari?». Ato u përgjigjën: «Po, këtu është, e keni përpara. Nxitoni, sepse sapo ka ardhur në qytet dhe populli do të kushtojë sot fli në faltoret në vende të larta. Do ta gjeni kur të hyni në qytet, përpara se të ngjitet për të ngrënë në faltoret në vende të larta. Populli nuk ka për të ngrënë pa mbërritur ai, sepse të ftuarit hanë pasi ta ketë bekuar flinë. Po të ngjiteni tani, do ta gjeni menjëherë». Ata u ngjitën në qytet dhe, kur hynë brenda, e gjetën Samuelin duke dalë për të shkuar te faltoret në vende të larta. Zoti e kishte njoftuar Samuelin një ditë përpara se të vinte Sauli e i kishte thënë: «Nesër në këtë kohë, do të dërgoj te ti një burrë prej fisit të Benjaminit. Vajose si prijës të popullit tim, Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim prej dorës së filistinëve, se e pashë mjerimin që e ka kapluar popullin tim». Kur Samueli e pa Saulin, Zoti i tha: «Ja, burri për të cilin të fola. Ai ka për ta zotëruar popullin tim». Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës e i tha: «Të lutem, më trego ku është shtëpia e vegimtarit?». Samueli iu përgjigj: «Unë jam vegimtari. Shko para meje te faltoret në vende të larta, se do të hamë bashkë sot. Nesër do të të tregoj për gjithçka që ke në zemër e pastaj do të të nis. Sa për gomaricat që të humbën tri ditë më parë, mos u shqetëso, se i kanë gjetur. E kujt do t'i përkasë tërë ëndja e Izraelit, në mos ty e tërë familjes tënde?». Sauli u përgjigj: «A nuk jam unë prej fisit të Benjaminit, prej fisit më të vogël të Izraelit dhe prej familjes më të vogël brenda fisit të Benjaminit? Përse, pra, ma thua këtë fjalë?». Atëherë Samueli e futi brenda në dhomë Saulin e shërbëtorin e tij dhe i vuri në krye të të ftuarve. Aty ishin rreth tridhjetë vetë. Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: «Sille pjesën që të dhashë e për të cilën të thashë ta vije mënjanë». Gjellëbërësi mori kofshën dhe bishtin e ia vuri para Saulit. Samueli i tha: «Ja, pjesa që u vu mënjanë për ty. Ha se është ruajtur për ty për këtë të kremte ku kam ftuar popullin». Sauli hëngri atë ditë bashkë me Samuelin. Kur zbritën në qytet prej faltoreve në vende të larta, i vunë për të fjetur në tarracë. Të nesërmen u ngritën që në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në tarracë e i tha: «Bëhu gati të nisesh». Pasi u bë gati, Sauli e Samueli dolën që të dy përjashta. Teksa po i afroheshin fundit të qytetit, Samueli i tha Saulit: «Thuaji djaloshit të shkojë para nesh». Kur u largua djaloshi, i tha: «Ti ndalu pak që të të njoftoj fjalën e Perëndisë». Samueli mori enën me vaj dhe e zbrazi mbi kryet e Saulit, pastaj e puthi e i tha: « Zoti të vajosi si prijës për trashëgiminë e tij. Kur të largohesh sot prej meje, do të takosh dy njerëz pranë varrit të Rakelës, në tokën e Benjaminit, në Celcah. Ata do të të thonë se i kanë gjetur gomaricat që po kërkoje dhe se yt atë në vend që të shqetësohet për gomaricat shqetësohet për ju e thotë: “Çfarë të bëj për tim bir?”. Pastaj, kur të kalosh përtej e të mbërrish te lisi i Taborit, do të takosh tre njerëz që po shkojnë për të kërkuar Perëndinë në Betel. Njëri prej tyre do jetë duke mbajtur tre keca, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i fundit një kacek me verë. Do të të përshëndesin e pastaj do të të japin dy bukë të rrumbullakëta, të cilat do t'i marrësh. Më pas do të mbërrish në Gibeah Elohim, ku gjenden çetat e filistinëve. Kur të hysh në qytet, do të takosh një turmë profetësh, që po profetizon teksa zbresin prej faltoreve në vende të larta, duke i rënë lirës, dajres e qestes. Shpirti i Zotit do të vërshojë mbi ty e ti do të fillosh të profetizosh bashkë me ta. Do të shndërrohesh në një njeri tjetër. Kur të shohësh se janë përmbushur këto shenja, vepro sapo të mundesh, se Perëndia është me ty. Pastaj shko para meje në Gilgal. Unë do të vij më pas për të kushtuar fli shkrumbimi e fli paqtimi. Më prit për shtatë ditë që të të tregoj çfarë të bësh». Sapo Sauli i ktheu shpinën Samuelit për t'u larguar, Perëndia ia tjetërsoi zemrën e të gjitha shenjat u plotësuan po atë ditë. Ai mbërriti në Gibeah, ku e takoi një turmë profetësh. Shpirti i Perëndisë vërshoi mbi të e ai filloi të profetizonte mes tyre. Kur ata që e njihnin më parë e panë se po profetizonte bashkë me profetët, filluan t'i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'po i ndodh birit të Kishit? Edhe Sauli qenka profet?». Një nga vendasit u përgjigj: «Pse jo, bijtë e kujt qenkan këta të tjerët?». Kështu lindi thënia: «Pse, edhe Sauli qenka profet?». Pasi përfundoi së profetizuari, Sauli shkoi në faltoret në vende të larta. Ungji i Saulit i tha Saulit dhe shërbëtorit të tij: «Ku keni qenë?». Ai iu përgjigj: «Shkuam për të kërkuar gomaricat dhe, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli». Ungji i tha: «Më trego çfarë ju tha Samueli?». Sauli iu përgjigj: «Na tregoi se gomaricat ishin gjetur», por nuk i tregoi çfarë i kishte thënë Samueli për mbretërinë. Samueli e mblodhi popullin para Zotit në Micpah e u tha izraelitëve: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit. Unë e nxora Izraelin prej Egjiptit. Ju çlirova edhe ju prej dorës së egjiptianëve e prej gjithë mbretërive që po ju shtypnin. Ju sot e përbuzët Perëndinë tuaj, që ju shpëtoi prej çdo fatkeqësie e vështirësie, duke thënë: “Na cakto një mbret”. Tani, pra, paraqituni para Zotit sipas fiseve e familjeve». Samueli i paraqiti të gjitha fiset e Izraelit dhe shorti i ra fisit të Benjaminit. Pastaj paraqiti familjet e Benjaminit dhe shorti i ra familjes së Matriut. Mandej shorti i ra Saulit, birit të Kishit. E kërkuan Saulin, por nuk po e gjenin. Atëherë u këshilluan sërish me Zotin: «A presim të vijë ndonjë tjetër?». Zoti tha: «Ja ku është, i fshehur pas sendeve». Ata vrapuan dhe e morën që andej. Ai qëndroi në mes të popullit. Ishte shtatlartë, një kokë më lart se tërë populli. Atëherë Samueli i tha mbarë popullit: «A e shihni kë ka zgjedhur Zoti. Nuk ka si ai në mbarë popullin». Tërë populli brohoriti: «Rroftë mbreti!». Samueli i tregoi popullit të drejtat e mbretit. I shkroi në libër dhe i vuri para Zotit. Pastaj Samueli e nisi popullin, secilin në shtëpinë e vet. Edhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet, në Gibeah, dhe me të shkuan luftëtarët që Perëndia i kishte prekur në zemër. Por disa njerëz të poshtër thanë: «Ky do të na shpëtuaka?». E përbuzën e nuk i çuan asnjë dhuratë, por Sauli bëri sikur nuk i dëgjoi. Atëherë Nahash Amoniti u ngrit, fushoi kundër Jabesh Gileadit e ata i thanë: «Eja të lidhim besën e ne do të të shërbejmë». Nahash Amoniti u përgjigj: «Vetëm nëse nxirrni syrin e djathtë do të bëj besëlidhje me ju, që ta turpëroj gjithë Izraelin». Pleqësia e Jabeshit i tha: «Na prit për shtatë ditë, që të dërgojmë lajmëtarë nëpër gjithë vendin e Izraelit. Nëse nuk ka kush të na shpëtojë, do të dorëzohemi». Lajmëtarët mbërritën në Gibeahun e Saulit dhe e njoftuan popullin për gjithçka. Atëherë mbarë populli vuri kujën e vajtoi. Ndërkohë Sauli po kthehej prej kullotës duke ecur pas qeve. Atëherë pyeti: «Çfarë ka populli që po vajton?». Ata i treguan lajmin që kishin sjellë burrat e Jabeshit. Kur i dëgjoi këto fjalë, shpirti i Perëndisë vërshoi mbi të dhe ai u zemërua fort. Mori një pendë qe dhe i bëri copa-copa, të cilat i dërgoi përmes lajmëtarëve në çdo vend të Izraelit duke thënë: «Kështu do të përfundojnë qetë e kujtdo që nuk i shkon pas Saulit e Samuelit». Tmerri i Zotit e kaploi popullin e ata dolën si një trup i vetëm. Sauli mblodhi në Bezek treqind mijë izraelitë, prej të cilëve tridhjetë mijë ishin prej Judës. Ai u tha lajmëtarëve që kishin ardhur: «Thuajuni njerëzve të Jabesh Gileadit se nesër në mesditë do të çlirohen». Lajmëtarët i njoftuan njerëzit e Jabeshit dhe ata u gëzuan. Atëherë njerëzit e Jabeshit i thanë Nahashit: «Nesër do të dorëzohemi. Bëj me ne si të duash». Të nesërmen Sauli e ndau popullin në tre njësi. Mbërriti në fushim që në orët e para të mëngjesit e i sulmoi amonitët deri në mesditë. Ata që mbetën u shpërndanë e nuk u gjetën as dy vetë bashkë. Atëherë populli i tha Samuelit: «Kush janë ata që thanë: “Pse Sauli do të mbretëruaka mbi ne?”. Sillini këtu që t'i vrasim». Por Sauli tha: «Mos vritni njeri sot, se në këtë ditë Zoti i dha fitoren Izraelit». Pastaj Samueli i tha popullit: «Ejani të shkojmë në Gilgal që të përtërijmë mbretërinë». Mbarë populli shkoi në Gilgal e po atje e bënë Saulin mbret para Zotit. I kushtuan Zotit fli paqtimi dhe Sauli e të gjithë izraelitët u gëzuan pa masë. Samueli i tha mbarë Izraelit: «Jua dëgjova fjalën për gjithçka më thatë e ju vura një mbret. Tani ka për t'ju prirë mbreti. Unë u plaka, u thinja e bijtë e mi janë me ju. Ju kam prirë që në rini e deri tani. Ja ku më keni. Nëse i kam marrë ndokujt kaun apo gomarin, nëse kam shfrytëzuar apo keqtrajtuar ndokënd, nëse i kam marrë mitë dikujt për të mbyllur një sy, ata le të dëshmojnë kundër meje në prani të Zotit e të vajosurit të tij dhe unë do t'ua kthej». Ata u përgjigjën: «Nuk na ke shfrytëzuar apo keqtrajtuar, as nuk ke marrë send prej dorës së ndokujt». Ai u tha: «Sot, pra, Zoti dhe i vajosuri i tij janë dëshmitarë që ju nuk keni gjetur asnjë faj në mua». Ata u përgjigjën: «Ai është dëshmitar!». Samueli i tha popullit: «Është Zoti, ai që caktoi Moisiun e Aronin dhe që i nxori etërit tuaj prej tokës së Egjiptit. Tani, pra, zini vend e unë do të bëj gjyq me ju para Zotit për të gjitha veprat e drejta që Zoti bëri për ju e për etërit tuaj. Pasi Jakobi mbërriti në Egjipt, etërit tuaj i thirrën Zotit. Ai dërgoi Moisiun e Aronin dhe ata i nxorën etërit tuaj prej Egjiptit e i vunë të banonin në këtë vend. Por populli e harroi Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i dorëzoi te Siseri, prijësi i ushtrisë së Hacorit, te filistinët e te mbreti i Moabit, që luftuan kundër tyre. Atëherë i thirrën Zotit e thanë: “Mëkatuam, se e braktisëm Zotin dhe u shërbyem Baalëve e Ashtarotës. Na shpëto, tani, prej dorës së armiqve dhe ne do të të shërbejmë ty”. Atëherë Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedanin, Jeftahun dhe Samuelin. Ai ju shpëtoi prej duarve të armiqve përreth e ju jetuat të qetë. Kur patë që erdhi kundër jush Nahashi, mbreti i amonitëve, më thatë: “Jo, duam një mbret mbi ne”, edhe pse Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj. Ja, ku e keni mbretin që zgjodhët, mbretin që kërkuat. Ja, Zoti jua dha mbretin. Nëse e druani Zotin, nëse i shërbeni atij, nëse ia dëgjoni zërin e nuk ngrini krye kundër fjalës së Zotit, por e ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj, do të keni mbarësi ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju. Nëse nuk e dëgjoni zërin e Zotit dhe ngrini krye kundër fjalës së Zotit, dora e Zotit do të shtrihet kundër jush e mbretit tuaj. E tani, zini vend, që të shihni këtë gjë madhështore që Zoti do të bëjë para syve tuaj. A nuk korret gruri sot? Do ta thërras Zotin që të çojë bubullima e shi dhe do ta kuptoni e do ta shihni sa e madhe është prapësia juaj në sytë e Zotit, që kërkuat mbret për vete». Atëherë Samueli i thirri Zotit e Zoti dërgoi bubullima e shi po atë ditë. Gjithë populli u frikësua shumë prej Zotit e Samuelit e i tha Samuelit: «Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu që të mos vdesim, se tërë mëkateve tona u shtuam edhe këtë ligësi duke kërkuar mbret për vete». Por Samueli i tha popullit: «Mos kini frikë. Ju e bëtë gjithë këtë ligësi, por mos u largoni prej Zotit. Shërbejini Zotit me gjithë zemër. Mos u tërhiqni pas kotësive, që nuk ju ndihmojnë e nuk ju shpëtojnë dot, se nuk janë asgjë. Zoti nuk ka për ta braktisur popullin e tij për shkak të emrit të tij të madhërishëm. Zoti vendosi t'ju bënte ju popullin e vet. Edhe për mua, qoftë larg të mëkatoj kundër Zotit, e të mos lutem më për ju. Do t'ju mësoj udhën e mbarë e të drejtë. Veç, druani Zotin, shërbejini atij me gjithë zemër e besnikërisht dhe shqyrtoni veprat madhështore që bëri për ju. Por, nëse vazhdoni të bëni ligësi, do të zhdukeni ju dhe mbreti». Sauli ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe kishte dy vjet që sundonte në Izrael. Ai zgjodhi tre mijë izraelitë. Dy mijë veta ishin me të në Mikmas e në malësinë e Betelit, ndërsa një mijë ishin me Jonatanin në Gibeahun e Benjaminit. Pjesën tjetër të popullit e nisi secilin në shtëpinë e vet. Jonatani sulmoi kullën e vrojtimit në Gebë dhe tërë filistinët e morën vesh. Edhe Sauli i ra borisë anekënd vendit e shpalli: «Ta marrin vesh hebrenjtë!». Kur mbarë populli dëgjoi se Sauli kishte sulmuar kullën e vrojtimit të filistinëve dhe se kështu e kishte futur Izraelin në armiqësi me ta, u mblodh në Gilgal rreth Saulit. Edhe filistinët mblodhën për luftë kundër Izraelit tre mijë karroca, gjashtë mijë kalorës dhe ushtarë të panumërt, porsi rëra e detit. Ata u nisën e fushuan në Mikmas, në lindje të Bet Avenit. Kur e panë izraelitët se ishin në rrezik, ngaqë ushtria e tyre gjendej ngushtë, u fshehën nëpër shpella, pyje, shkrepa, guva e puse. Disa hebrenj kaluan përtej Jordanit, në tokën e Gadit e të Gileadit. Sauli ishte ende në Gilgal, por tërë ushtria përreth tij dridhej nga frika. Sauli priti shtatë ditë, siç kishte caktuar Samueli, por ai nuk erdhi në Gilgal dhe ushtria filloi të shpërndahej. Sauli tha: «M'i sillni flitë e shkrumbimit e të paqtimit». Atëherë kushtoi flinë e shkrumbimit. Sapo përfundoi flinë e shkrumbimit, mbërriti Samueli. Sauli doli ta takonte e ta përshëndeste. Por Samueli i tha: «Çfarë bëre kështu?». Ai iu përgjigj: «Kur pashë se ushtria po largohej prej meje dhe se ti nuk po vije në kohën e caktuar, ndërkohë që filistinët po mblidheshin në Mikmas, mendova se filistinët do të më sulmonin në Gilgal, pa e marrë ende bekimin prej Zotit, prandaj m'u desh ta kushtoja flinë e shkrumbimit». Samueli i tha: «Veprove marrëzisht! Nuk e mbajte urdhrin që të dha Zoti, Perëndia yt. Zoti do ta kishte bërë mbretërinë tënde në Izrael të palëkundur deri në amshim, por tani mbretëria jote nuk do të qëndrojë më. Zoti ka kërkuar një njeri tjetër sipas zemrës së vet dhe e ka urdhëruar t'i prijë popullit të tij, sepse ti nuk e zbatove urdhrin e Zotit ». Samueli u ngrit e shkoi nga Gilgali në Gibeah të Benjaminit. Sauli i rreshtoi njerëzit që gjendeshin përreth tij. Ishin gjashtë mijë veta. Sauli, Jonatani, i biri, dhe populli që gjendej me ta qëndruan në Gebën e Benjaminit, ndërsa filistinët kishin fushuar në Mikmas. Prej fushimit të filistinëve doli një njësi luftarake e ndarë në tri grupe. Njëra mori drejtimin e Ofrahut, në tokën e Shualit, tjetra mori drejtimin e Bet Horonit dhe e treta mori drejtimin e kufirit me pamje poshtë nga lugina e Ceboimit dhe shkretëtirës. Në atë kohë nuk gjendej asnjë farkëtar në tokën e Izraelit, sepse filistinët nuk i lejonin hebrenjtë të bënin shpata e heshta. Çdo izraelit shkonte te filistinët nëse i duhej të mprehte plugun, kazmën, sëpatën apo draprin. Mprehja e plugut dhe e kazmës kushtonte dy të tretat e siklës, ndërsa mprehja e sëpatës dhe ndreqja e hostenit kushtonte një të tretën e siklës. Kështu, pra, në ditën e betejës, përveç Saulit e Jonatanit, askush nga ata që i ndiqte nuk kishte as shpatë, as heshtë. Ndërkohë një çetë filistine kishte dalë te gryka e Mikmasit. Një ditë, Jonatani, biri i Saulit, i tha armëmbajtësit të vet: «Eja të shkojmë te fushimi filistin në anën tjetër». Ai nuk i tregoi të atit. Sauli qëndronte në rrethinat e Gibeahut, nën pemën e shegës në Migron. Me të ishin gjashtë mijë veta. Edhe Ahijahu, biri i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, të birit të Eliut, priftit të Zotit në Shiloh, ishte atje veshur me efod. Ushtria nuk e dinte se Jonatani kishte ikur. Vendkalimi për te fushimi filistin, ku mendonte të kalonte Jonatani, kishte nga një shkëmb të thepisur në të dyja anët. Njëri shkëmb quhej Bocec e tjetri Seneh. Njëri ngrihej në veri, kundruall Mikmasit, tjetri në jug, kundruall Gebës. Jonatani i tha armëmbajtësit: «Eja të shkojmë te fushimi i këtyre të parrethprerëve. Ndoshta Zoti do të na përkrahë, sepse për Zotin fitorja nuk është e pamundur, në jemi shumë a pak». Armëmbajtësi i tha: «Bëj siç ke ndër mend. Nisu, pra, se më ke në krah për çdo gjë që ke ndër mend të bësh». Jonatani i tha: «Eja të shkojmë e t'u dalim para. Nëse na thonë: “Ndaluni, se erdhëm”, do të ndalemi në vend e nuk do të ngjitemi te ta. Nëse na thonë: “Ngjituni”, do të shkojmë, se kjo do të jetë shenja përmes së cilës do ta dimë se Zoti na i ka dorëzuar». Ata të dy i dolën para fushimit të filistinëve. Filistinët thanë: «Ja, hebrenjtë po dalin nga vrimat ku janë futur». Burrat e fushimit i thanë Jonatanit dhe armëmbajtësit: «Ngjituni, se kemi diçka për t'ju treguar». Atëherë Jonatani i tha armëmbajtësit: «Më ndiq, se Zoti i dorëzoi në duart e Izraelit». Jonatani u ngjit këmbadoras dhe armëmbajtësi e ndiqte pas. Filistinët binin para Jonatanit dhe pas tij i vriste armëmbajtësi. Në sulmin e parë, Jonatani dhe armëmbajtësi vranë njëzet burra brenda një are të vogël. Atëherë u tmerrua fushimi nëpër ara e mbarë populli. U tmerruan çeta dhe luftëtarët. Toka u trand. Tmerr Perëndie! Vrojtuesit e Saulit në Gibeah të Benjaminit panë se turma po shpërndahej sa andej-këtej. Atëherë Sauli i tha popullit që ishte me të: «Rreshtohuni e shihni a ka ikur ndonjëri prej nesh». Ata u rreshtuan dhe vunë re se mungonte Jonatani e armëmbajtësi i tij. Pastaj Sauli i tha Ahijahut: «Sille arkën e Perëndisë!». Se arka e Perëndisë ishte ato ditë me izraelitët. Ndërsa Sauli fliste me priftin, trazira në fushimin e filistinëve bëhej gjithnjë e më e madhe, prandaj dhe Sauli i tha priftit: «Ndale dorën!». Sauli mblodhi tërë popullin që ishte me të e doli në luftë. U bë një pështjellim i madh. Filistinët po vrisnin njëri-tjetrin me shpatë. Hebrenjtë që ishin bashkuar më parë me filistinët dhe ishin në fushim me ta, dolën kundra e u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin e Jonatanin. Kur e morën vesh tërë izraelitët që ishin fshehur në malësinë e Efraimit se filistinët po ua mbathnin, dolën edhe ata në luftë e i ndoqën pas. Atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin. Beteja u shtri deri në Bet Aven. Izraelitët ishin të rraskapitur atë ditë, se Sauli i kishte vënë në be kur kishte thënë: «Mallkuar qoftë kushdo që ha para se të ngryset, para se unë të hakmerrem kundër armiqve të mi». Kështu, populli nuk futi gjë në gojë. Atëherë tërë populli hyri në një pyll ku mjalti pikonte përtokë. Por, kur hynë në pyll, edhe pse e shihnin mjaltin që pikonte, askush nuk guxonte të zgjaste dorën e të hante, se i trembeshin betimit. Jonatani nuk e kishte dëgjuar betimin e të atit para popullit, prandaj zgjati shkopin, e ngjeu majën në hojet e mjaltit dhe e futi në gojë. Sytë i ndritën. Atëherë dikush nga populli i tha: «Yt atë e vuri në be popullin e i tha: “Mallkuar qoftë kush ha sot”, prandaj dhe populli është kapitur». Jonatani i tha: «Im atë po e mundon vendin. Shih si më ndritën sytë kur hëngra vetëm pak nga ky mjaltë! Sikur populli të kishte ngrënë sot nga preja që u kapi armiqve, humbja e filistinëve do të kishte qenë edhe më e madhe». Atë ditë u ranë filistinëve nga Mikmasi deri në Ajalon. Populli u këput nga lodhja. Atëherë iu lëshuan presë që kishin kapur me dhen, lopë e viça. I therën përtokë dhe i hëngrën me gjithë gjak. Saulin e lajmëruan e i thanë: «Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë gjak». Sauli u përgjigj: «Ah, të pabesë! Rrokullisni një gur të madh e silleni këtu. Shkoni nëpër popull e u thoni ta sjellin kaun a dashin tek unë. Ta therin këtu e pastaj ta hanë, që të mos mëkatojnë kundër Zotit duke e ngrënë me gjak». Atë natë secili solli kaun e vet dhe e theri atje. Kështu, Sauli i ndërtoi Zotit një altar. Ai ishte altari i parë që ndërtoi për Zotin. Pastaj Sauli tha: «T'i sulmojmë filistinët natën, t'i plaçkisim deri në agim e të mos lëmë njeri gjallë». Ata u përgjigjën: «Vepro si të të duket më mirë». Por prifti tha: «Le të kërkojmë këshillë prej Perëndisë». Atëherë Sauli e pyeti Perëndinë: «A t'i ndjek filistinët? A do t'ia dorëzosh Izraelit?». Por nuk mori përgjigje atë ditë. Atëherë Sauli urdhëroi: «Të dalin tërë prijësit e popullit që të shqyrtojmë e të gjejmë kush mëkatoi sot. Pasha Zotin, shpëtimtarin e Izraelit, edhe në qoftë Jonatani, biri im, do të dënohet me vdekje». Por askush prej popullit nuk u përgjigj. Pastaj ai u tha tërë izraelitëve: «Ju rrini në një anë, ndërsa unë e Jonatani, biri im, do të rrimë në anën tjetër». Populli iu përgjigj: «Bëj si të të duket më mirë». Sauli i tha Zotit, Perëndisë së Izraelit: «Tregoje përmes Tumimit». Shorti i ra Jonatanit dhe Saulit, ndërsa populli doli i lirë. Sauli tha: «Hidheni shortin mes meje e Jonatanit, birit tim». Dhe shorti i ra Jonatanit. Atëherë Sauli i tha Jonatanit: «Më thuaj çfarë bëre». Jonatani iu përgjigj: «Hëngra pak mjaltë me majën e shkopit dhe ja, do të vdes!». Sauli tha: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, se ti, o Jonatan, ke për të vdekur». Por populli tha: «Si të vdesë Jonatani? Ai ia solli këtë fitore të madhe Izraelit. Larg qoftë! Pasha Zotin, asnjë fije floku s'ka për t'i rënë përtokë, se Jonatani veproi bashkë me Perëndinë sot». Kështu, populli e shpëtoi Jonatanin dhe ai nuk vdiq. Pastaj Sauli u tërhoq nga ndjekja e filistinëve e ata u kthyen në vendin e vet. Sauli arriti ta sundonte Izraelin dhe luftoi kundër gjithë armiqve përreth, Moabit, amonitëve, Edomit, mbretërve të Cobahut dhe filistinëve. Ngado që mësynte, fitonte. Ai luftoi si trimat dhe goditi Amalekun. Ai e shpëtoi Izraelin nga dora e kujtdo që e plaçkiste. Bijtë e Saulit ishin Jonatani, Ishviu e Malkishuai. Emrat e dy bijave ishin Meraba, vajza e madhe, e Mikala, vajza e vogël. Gruaja e Saulit quhej Ahinoama, bija e Ahimacit. Kreu i ushtrisë së tij ishte Abneri, biri i Nerit, ungjit të Saulit. Kishi, ati i Saulit e Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit. Gjatë gjithë jetës së Saulit pati luftë të ashpër kundër filistinëve. Këdo që shihte si burrë trim e të fortë, Sauli e merrte nën shërbimin e vet. Samueli i tha Saulit: «Unë jam ai që Zoti dërgoi për të të vajosur mbret mbi popullin e tij, Izraelin, prandaj dëgjoje fjalën e Zotit: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: po e dënoj Amalekun për çka bëri kundër Izraelit, sepse e pengoi kur doli nga Egjipti. Tani pra, sulmoje Amalekun e shfaros gjithçka gjendet në të. Mos ki mëshirë. Vriti me burra, gra, fëmijë, foshnja, qe, dhen, deve e gomarë”». Atëherë Sauli thirri popullin dhe e rreshtoi në Telaim. Ata ishin dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë burra prej Judës. Sauli mbërriti para qytetit të Amalekut e vuri pritë te vau. Pastaj u tha kenitëve: «Ikni prej amalekitëve, që të mos ju shkatërroj bashkë me ta, se treguat mirësi ndaj gjithë izraelitëve kur dolën nga Egjipti». Kështu, kenitët u larguan prej amalekitëve. Sauli e sulmoi Amalekun nga Havilahu deri në Shur që është kundruall Egjiptit. E kapi të gjallë Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa mbarë popullin e kaloi në teh të shpatës. Sauli e populli kursyen Agagun, dhentë e qetë më të mira, bagëtitë e majme, qengjat e çdo gjë që ishte e mirë, që nuk deshën t'i shfarosnin. Gjithçka të pavlerë e shfarosën. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit: «Jam penduar që e bëra mbret Saulin, se më ka kthyer shpinën e nuk i zbaton fjalët e mia». Samueli u trishtua e i thirri Zotit gjithë natën. Samueli u ngrit në të gdhirë për ta takuar Saulin që herët dhe e lajmëruan se Sauli, pasi kishte mbërritur në Karmel, ku kishte ngritur një përmendore për vete, ishte kthyer dhe kishte kaluar për në Gilgal. Samueli shkoi tek ai dhe kur Sauli e takoi, i tha: «Të bekoftë Zoti! Ia mbajta fjalën Zotit ». Por Samueli iu përgjigj: «Ç'është kjo blegërimë qengjash që po më kapin veshët? Ç'është kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?». Sauli i tha: «I sollëm prej Amalekut. Populli i kurseu dhentë e qetë më të mira për t'ia kushtuar Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa pjesën tjetër e shfarosëm». Samueli i tha Saulit: «Hesht! Do të të tregoj se çfarë më tha Zoti mbrëmë». Sauli i tha: «Fol!». Samueli i tha: «Edhe pse të duket vetja i vogël, je kreu i fiseve të Izraelit. Zoti të vajosi mbret mbi Izraelin. Zoti të dërgoi e të tha: “Shfarosi amalekitët, ata mëkatarë. Lufto kundër tyre derisa t'i shkatërrosh”. Përse, pra, nuk e dëgjove zërin e Zotit, por iu vërsule plaçkës duke bërë ligësi në sytë e Zotit?». Sauli iu përgjigj Samuelit: «E kam dëgjuar zërin e Zotit. Shkova siç më dërgoi Zoti dhe e kapa Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa amalekitët i shfarosa. Populli mori për plaçkë dhentë e qetë më të mira, që ishin caktuar për t'u shfarosur, për t'ia kushtuar në Gilgal Zotit, Perëndisë tënd». Atëherë Samueli i tha: «Pse, a i pëlqejnë Zotit flitë e shkrumbimit e flitë e tjera më shumë se t'i dëgjohet fjala? Ja, më mirë është dëgjesa, se flitë, më mirë vëmendja, se dhjami i deshve. Kundërshtimi është si mëkati i shortarisë, kokëfortësia si ligësia e idhujtarisë. Ngaqë e përbuze fjalën e Zotit, ai e përbuzi sundimin tënd». Atëherë Sauli i tha Samuelit: «Mëkatova, sepse shkela fjalën e Zotit dhe fjalët e tua. Pata frikë popullin dhe dëgjova fjalën e tij. Tani, pra, ma fal mëkatin e kthehu bashkë me mua që të adhuroj Zotin ». Samueli i tha: «Jo, nuk do të kthehem me ty, se ti e përbuze fjalën e Zotit e Zoti të përbuzi si mbret të Izraelit». Samueli bëri të largohej, por Sauli e kapi prej fundit të petkut e ia shqeu. Samueli i tha: «Sot, Zoti e shqeu mbretërinë e Izraelit prej teje e ia dhuroi një tjetri që është më i mirë se ti. Për më tepër ai që është lavdia e Izraelit nuk gënjen e nuk pendohet, se nuk është njeri që të pendohet». Sauli i tha: «Kam mëkatuar, por të lutem më ndero para pleqësisë së popullit e para Izraelit e kthehu me mua që të adhuroj Zotin, Perëndinë tënd». Samueli u kthye me të dhe Sauli adhuroi Zotin. Samueli tha: «Ma sillni Agagun, mbretin e Amalekut». Agagu erdhi në pranga dhe mendonte se nuk i kanosej më vdekja. Por Samueli tha: «Siç la shpata jote gra pa fëmijë, ashtu do të mbetet edhe nëna jote pa fëmijë». Dhe Samueli e theri Agagun para Zotit, në Gilgal. Samueli shkoi në Ramah, ndërsa Sauli shkoi në shtëpinë e vet në Gibeahun e Saulit. Samueli nuk e pa më Saulin gjatë gjithë jetës së vet, por vajtoi për të, se Zoti ishte penduar që e kishte bërë mbret mbi Izraelin. Zoti i tha Samuelit: «Për sa kohë do ta vajtosh Saulin? Unë e përbuza sundimin e tij në Izrael. Mbushe bririn me vaj dhe eja të të dërgoj te Jeseu, betlehemasi, sepse ndër bijtë e tij kam gjetur një mbret për vete». Samueli i tha: «Si të shkoj? Do ta dëgjojë Sauli e do të më vrasë». Zoti i tha: «Merr një mëshqerrë me vete e thuaji se ke shkuar për t'i kushtuar fli Zotit. Ftoje Jeseun të marrë pjesë në kushtimin e flisë. Unë do të të tregoj se çfarë do të bësh e kë do të vajosësh». Samueli bëri siç i tha Zoti dhe mbërriti në Betlehem. Pleqësia e qytetit pati frikë dhe, kur e takuan, e pyetën: «A vjen në paqe?». Ai u tha: «Në paqe. Erdha për t'i kushtuar fli Zotit. Shenjtërohuni dhe ejani me mua në kushtimin e flisë». Samueli shenjtëroi Jeseun e bijtë e tij dhe i ftoi në kushtimin e flisë. Kur ata erdhën, Samueli vuri re Eliabin e mendoi: «Para Zotit qëndron vërtet i vajosuri i tij». Por Zoti i tha: «Mos i shih pamjen e shtatin, se nuk e kam pranuar. Perëndia nuk gjykon siç gjykon njeriu. Njeriu sheh pamjen, ndërsa Zoti sheh zemrën». Atëherë Jeseu thirri Abinadabin që të dilte para Samuelit. Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti ». Pastaj Jeseu solli Shamahun, por Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti ». Jeseu solli para Samuelit të shtatë bijtë e vet, por Samueli i tha për secilin: «As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti ». Atëherë Samueli e pyeti: «Kaq djem ke?». Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një djalë të vogël që po kullot dhentë». Samueli i tha: «Dërgo njerëz ta thërrasin, se nuk do të kthehem pa ardhur ai». Dërguan njerëz dhe e sollën. Ai ishte kuqalosh, me sy të bukur e i pashëm. Zoti tha: «Çohu e vajose. Ky është». Samueli mori bririn me vaj dhe e vajosi mes vëllezërve. Shpirti i Zotit vërshoi mbi Davidin që nga ajo ditë e tutje. Pastaj Samueli u ngrit e shkoi në Ramah. Shpirti i Zotit u largua nga Sauli dhe filloi ta mundonte një shpirt i lig dërguar prej Zotit. Atëherë një shërbëtor i tha: «Ja, një shpirt i lig i Perëndisë po të mundon. T'i urdhërojë zotëria ynë shërbëtorët e tij të gjejnë dikë që di t'i bjerë lirës. Sa herë të të pushtojë shpirti i lig i Perëndisë, ai do t'i bjerë lirës e ti do të ndihesh më mirë». Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve: «Më gjeni dikë që i bie mirë lirës dhe silleni tek unë». Një nga shërbëtorët u përgjigj: «Ja, kam vënë re se biri i Jeseut, betlehemasit, di t'i bjerë lirës. Ai është fisnik, trim, njeri i fjalës e i pashëm. Zoti është me të». Sauli dërgoi lajmëtarë te Jeseu për t'i thënë: «Nise tek unë Davidin, birin tënd, që kullot dhentë». Jeseu mori një gomar, e ngarkoi me bukë, me një kacek vere e me një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të vet. Davidi mbërriti te Sauli e u vu në shërbim të tij. Sauli e deshi shumë dhe e bëri armëmbajtësin e vet. Sauli dërgoi njerëz te Jeseu për t'i thënë: «Lëre Davidin në shërbimin tim, sepse jam i kënaqur me të». Sa herë që shpirti i lig i Perëndisë e pushtonte Saulin, Davidi merrte lirën dhe i binte. Sauli qetësohej, ndihej më mirë e shpirti i lig largohej prej tij. Filistinët i mblodhën ushtritë për luftë në Sokoh të Judës e fushuan mes Sokohut e Azekahut, në Efes Damim. Edhe Sauli e burrat e Izraelit u mblodhën e fushuan në luginën e Elahut. Ata u rreshtuan për t'u ndeshur me filistinët. Filistinët qëndronin në njërin mal, izraelitët në malin tjetër dhe mes tyre ishte lugina. Nga radhët e filistinëve doli një luftëtar me emrin Goliat, prej Gatit. Ai ishte rreth tri metra i gjatë. Në kokë kishte një përkrenare bronzi e mbante veshur një parzmore me luspa bronzi që peshonte rreth pesëdhjetë e shtatë kilogramë. Ishte i mbathur me bronz deri në ijë dhe mbante krahaqafë një heshtë bronzi. Shtiza e drunjtë e heshtës ishte sa shuli i tezgjahut dhe tehu i hekurt i heshtës i peshonte shtatë kilogramë. Përpara i shkonte shqytari. Ai zuri vend e u thirri aradheve të Izraelit: «Përse keni dalë në luftë? A nuk jam unë filistin dhe a nuk jeni ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni, pra, njërin prej jush të zbresë tek unë. Nëse fiton kundër meje e më vret, ne do të bëhemi skllevërit tuaj, por, nëse fitoj unë dhe e vras, ju do të bëheni skllevërit tanë e do të na shërbeni». Filistini u tha: «Sot po i nguc aradhet e Izraelit! Më çoni dikë për dyluftim!». Kur Sauli e mbarë Izraeli i dëgjuan fjalët e filistinit, u tmerruan dhe i kapi një frikë e madhe. Davidi ishte djali i një efratiti nga Betlehemi që quhej Jese. Ky kishte tetë djem. Në kohën e Saulit ai ishte plak dhe i thyer në moshë. Tre djemtë e mëdhenj të Jeseut kishin ndjekur Saulin në luftë. Ata ishin Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti e Shamahu, i treti. Davidi ishte më i vogli. Tre djemtë e mëdhenj kishin shkuar pas Saulit, ndërsa Davidi shkonte e vinte te Sauli, sepse kulloste dhentë e të atit në Betlehem. Filistini doli për dyzet ditë çdo mëngjes e çdo mbrëmje. Jeseu i tha Davidit, të birit: «Merre këtë thes me misër të pjekur e këto dhjetë bukë e nxito te vëllezërit në luftë. Merr edhe dhjetë copa djathë për kryemijësin. Shih a janë shëndoshë e mirë vëllezërit e më sill një shenjë prej tyre». Ata ishin me Saulin e me tërë izraelitët në luginën e Elahut në luftë me filistinët. Davidi u ngrit herët në mëngjes, i la dhentë në kujdesin e një rojeje dhe u nis siç e kishte urdhëruar Jeseu. Ai mbërriti në fushim kur ushtria po renditej në fushëbetejë e po lëshonte kushtrimin. Ndërkohë izraelitët dhe filistinët po rreshtoheshin për luftë. Davidi i la gjërat te roja i sendeve e vrapoi te vija e frontit për të përshëndetur vëllezërit. Teksa po fliste me ta, nga radhët e filistinëve ia behu luftëtari filistin, Goliati prej Gatit. Ai filloi të fliste si përherë dhe Davidi e dëgjoi. Kur e panë, izraelitët u zmbrapsën para tij nga frika e madhe. Izraelitët thanë: «A e patë atë që doli për të ngucur Izraelin? Kush e vret ka për të marrë pasuri të mëdha si shpërblim prej mbretit. Do t'i japë për grua bijën e vet dhe shtëpinë e atit të tij do ta lirojë prej detyrimeve në Izrael». Davidi i pyeti burrat që ishin me të: «Çfarë do të ndodhë me atë që e vret këtë filistin dhe ia heq turpin Izraelit? Kush është ky filistin i parrethprerë që i nguc aradhet e Perëndisë së gjallë?». Njerëzit i treguan me radhë çfarë do t'i ndodhte atij që do ta vriste. Eliabi, vëllai i madh, e dëgjoi kur po fliste me njerëzit, u zemërua e i tha: «Përse erdhe? Me kë i le ato pak dhen në shkretëtirë? Të njoh mirë, je mendjemadh e zemërzi! Erdhe vetëm për të parë betejën». Davidi iu përgjigj: «Çfarë bëra tani? Vetëm një fjalë thashë!». Pastaj Davidi iu drejtua edhe dikujt tjetër dhe i bëri të njëjtën pyetje. Populli i ktheu të njëjtën përgjigje si më parë. Saulit i treguan se ç'kishte thënë Davidi dhe dërgoi njerëz ta thërrisnin. Atëherë Davidi i tha Saulit: «Të mos e lëshojë zemra asnjërin për shkak të tij. Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistin!». Sauli i tha: «Nuk ia del dot të luftosh kundër këtij filistini, se ti je djalosh e ai është luftëtar i regjur». Davidi i tha Saulit: «Shërbëtori yt i ka shërbyer të atit si bari dhensh. Kur vinte ndonjë luan apo ari dhe grabiste ndonjë dele prej kullotës unë e ndiqja pas, e godisja dhe e shpëtoja delen prej gojës së grabitqarit. Kur më sulej, e kapja për krife, e godisja dhe e vrisja. Shërbëtori yt ka vrarë luanë e arinj dhe ky filistin i parrethprerë do të përfundojë si ata, sepse nguci aradhet e Perëndisë së gjallë». Davidi tha: « Zoti, që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, do të më shpëtojë prej dorës së këtij filistini». Sauli iu përgjigj: «Shko, Zoti qoftë me ty». Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit. Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, Zoti do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se Zoti shpëton pa shpatë e pa heshtë. Zoti e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë». Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe. Davidi fitoi kundër filistinit vetëm me një hobe e me një gur. E qëlloi filistinin dhe e vrau, edhe pse Davidi nuk kishte shpatë në dorë. Atëherë nxitoi, u hodh mbi filistinin, ia mori shpatën dhe, si ia nxori nga milli, e theri e ia preu kokën. Filistinët ia mbathën sapo panë se u vdiq trimi. Atëherë burrat e Izraelit e të Judës u ngritën, lëshuan kushtrimin e i ndoqën filistinët deri në Gat e deri te portat e Ekronit. Kufomat e filistinëve u dergjën udhës së Sharaimit deri në Gat e në Ekron. Pastaj izraelitët u kthyen nga ndjekja e filistinëve dhe plaçkitën fushimet e tyre. Davidi mori kokën e filistinit dhe e çoi në Jerusalem. Ia mori edhe armët e i vendosi në tendën e vet. Kur Sauli pa se Davidi kishte dalë për t'u ndeshur me filistinin, e pyeti Abnerin, prijësin e ushtrisë: «Abner, biri i kujt është ky djalosh?». Abneri iu përgjigj: «Pasha jetën tënde, o mbret, nuk e di». Mbreti tha: «Pyet se biri i kujt është ky çunak». Kur Davidi u kthye, pasi kishte vrarë filistinin, Abneri e mori dhe e solli para Saulit. Davidi mbante ende në dorë kokën e filistinit. Sauli e pyeti: «Djalosh, biri i kujt je?». Ai i tha: «Biri i shërbëtorit tënd, Jeseut, betlehemasit». Sapo mbaroi së foluri me Saulin, Jonatani u lidh me gjithë shpirt me Davidin. Ai e deshi Davidin si veten. Sauli e mori atë ditë Davidin e nuk e la të kthehej te shtëpia e të atit. Jonatani e Davidi lidhën besën, sepse ai e donte si veten. Jonatani e hoqi petkun e ia dha Davidit. I dha edhe tunikën, shpatën, harkun e brezin e vet. Davidit i printe e mbara kudo që e dërgonte Sauli, prandaj ky e vuri në krye të ushtarëve. Populli e shërbëtorët e Saulit e patën për zemër Davidin. Pasi Davidi vrau filistinin, trupat u kthyen dhe gratë nga të gjitha qytetet e Izraelit dolën me këngë e valle për të takuar mbretin Saul, duke u rënë dajreve e qesteve plot hare. Dhe kënduan: «Sauli vrau me mijëra, Davidi me dhjetëra mijëra!». Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin. Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë. Sauli e druante Davidin, se Zoti ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse Zoti ishte me të. Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte. Sauli i tha Davidit: «Do të të jap për grua Merabën, vajzën time të madhe. Ti vetëm më shërbe si luftëtar e lufto betejat e Zotit ». Sauli thoshte: «Të mos vdesë prej dorës sime, por prej dorës së filistinëve». Davidi iu përgjigj: «Kush jam unë apo shtëpia e atit tim në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit?». Por, kur erdhi koha për t'u martuar me Davidin, Merabën, bijën e Saulit, ia dhanë Adriel Meholatitit. Mikala, bija e Saulit, e donte Davidin dhe, kur i treguan Saulit, atij i pëlqeu kjo, se thoshte: «Do t'ia jap për grua, që të bjerë në kurth e të vritet nga dora e filistinëve». Kështu, për të dytën herë Sauli i kërkoi Davidit të bëhej dhëndri i tij. Sauli i urdhëroi shërbëtorët e vet e u tha: «Flisni me Davidin e thuajini në fshehtësi: “I ke pëlqyer mbretit dhe shërbëtorët të duan, pse nuk bëhesh dhëndri i mbretit?”». Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin, por ai u tha: «Përse, punë e lehtë ju duket të jesh dhëndri i mbretit? Unë jam i varfër e i parëndësishëm». Kur shërbëtorët i treguan Saulit çfarë kishte thënë Davidi ai u tha: «Kështu thuajini Davidit: “Mbreti nuk do pajë, por lafshën e njëqind filistinëve të vdekur, që të hakmerret kundër armiqve të tij”». Sauli mendonte si e si të vritej Davidi prej dorës së filistinëve. Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin dhe atij iu mbush mendja të bëhej dhëndri i mbretit. Para se të plotësoheshin ditët, Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi e vrau dyqind filistinë e ia dërgoi mbretit të tëra lafshat që të bëhej dhëndri i tij. Kështu, Sauli i dha për grua bijën e vet, Mikalën. Sauli e pa se Zoti ishte me Davidin dhe se Mikala, bija e tij, e donte Davidin. Sauli e pati frikë Davidin edhe më shumë e u bë armik i tij përjetë. Sa herë që prijësit e filistinëve dilnin për luftë, Davidit i shkonte mbarë më shumë se tërë shërbëtorëve të Saulit, prandaj dhe bëri emër të madh. Sauli i tha Jonatanit, birit të vet, dhe të gjithë shërbëtorëve ta vrisnin Davidin. Jonatani, biri i Saulit, e donte shumë Davidin. Ai i tregoi Davidit e i tha: «Sauli, im atë, kërkon të të vrasë, prandaj ki kujdes në mëngjes. Fshihu e mos dil! Unë do të shkoj tek im atë e do të qëndroj pranë tij në arën ku do të fshihesh. Do t'i flas për ty e, nëse vërej gjë, do të të them». Jonatani i foli mirë për Davidin, Saulit, atit të vet, e i tha: «Të mos mëkatojë mbreti kundër Davidit, shërbëtorit të vet, se as ai nuk ka mëkatuar kundër teje. Ai ka bërë vepra të dobishme për ty, ka vënë jetën në rrezik, vrau filistinin e Zoti i dha fitoren mbarë Izraelit. Ti e pe dhe u ngazëllove. Përse mëkaton kundër gjakut të pafajshëm e kërkon ta vrasësh Davidin pa shkak?». Sauli ia dëgjoi fjalën Jonatanit e u betua: «Pasha Zotin nuk do të vritet!». Atëherë Jonatani e thirri Davidin e i tregoi gjithçka. E solli Davidin tek Sauli dhe ai u vu në shërbim të tij si më parë. Lufta plasi sërish. Davidi doli për të luftuar kundër filistinëve. I shpartalloi dhe ata ia mbathën para tij. Atëherë mbi Saulin erdhi një shpirt i lig i dërguar prej Zotit, teksa ai po rrinte në shtëpi me heshtë në dorë e Davidi po i binte lirës. Sauli u përpoq ta mbërthente Davidin me heshtë për muri, por ai u shmang e heshta qëlloi murin. Atë natë Davidi iku dhe shpëtoi. Sauli dërgoi lajmëtarë te shtëpia e Davidit, që ta vëzhgonin e ta vritnin në të gdhirë, por Mikala, e shoqja, e njoftoi e i tha: «Ik sonte e shpëto kokën, se nesër do të të vrasin!». Ajo e zbriti Davidin nga dritarja e ai iku e shpëtoi. Pastaj ajo mori një idhull, e vuri në shtrat, i hodhi mbi krye një lëkurë me lesh dhie dhe e mbuloi me mbulesë. Sauli dërgoi lajmëtarë për ta marrë Davidin, por ajo u tha se ai ishte sëmurë. Sauli dërgoi sërish lajmëtarë që ta vëzhgonin Davidin e u tha: «Ma sillni me gjithë shtrat, që ta vras!». Ata shkuan, por në shtrat gjetën idhullin e lëkurën me lesh dhie. Sauli i tha Mikalës: «Si më mashtrove kështu dhe e le armikun tim të ikte e të shpëtonte?». Mikala iu përgjigj: «Sepse më tha: “Më lër të iki, se të vrava!”». Ndërkohë Davidi kishte ikur. Ai shkoi te Samueli në Ramah e i tregoi gjithçka i kishte bërë Sauli. Davidi e Samueli shkuan e banuan në Najot. Saulin e njoftuan se Davidi ishte në Najot, në Ramah dhe ai dërgoi lajmëtarë që ta merrnin. Me të parë çetën e profetëve, që po profetizonin, dhe Samuelin mes tyre, që po u printe, shpirti i Perëndisë erdhi mbi njerëzit e Saulit dhe ata filluan të profetizonin. E njoftuan Saulin dhe ai dërgoi lajmëtarë të tjerë, por edhe ata filluan të profetizonin. Sauli dërgoi të tjerë për herë të tretë, por edhe këta filluan të profetizonin. Atëherë ai shkoi vetë në Ramah. Mbërriti te pusi i madh në Seku dhe pyeti: «Ku janë Samueli e Davidi?». Dikush i tha: «Ja, në Najot, në Ramah». Kështu, ai shkoi në Najot, në Ramah. Shpirti i Perëndisë erdhi edhe mbi të dhe ai ecte e profetizonte derisa mbërriti në Najot, në Ramah. U zhvesh e filloi të profetizonte para Samuelit. Pastaj ra përtokë lakuriq e ndenji ashtu tërë ditën e tërë natën. Prej këndej doli edhe thënia: «Edhe Sauli qenka profet?». Davidi u largua prej Najotit, në Ramah. Ai shkoi te Jonatani e i tha: «Çfarë kam bërë? Ç'faj kam? Ç'të keqe i bëra tyt eti që kërkon të më marrë jetën?». Ai iu përgjigj: «Larg qoftë të vdesësh! Im atë nuk bën as gjënë më të vogël pa më treguar. Pse do të ma fshihte këtë gjë? Nuk është kështu!». Davidi iu zotua e tha: «Yt atë e di mirë se ti më përkrah dhe mendon: “Mos ta dijë Jonatani, që të mos hidhërohet!”. Por, pasha Zotin e pasha jetën tënde, vetëm një hap më ndan nga vdekja!». Jonatani i tha: «Do të veproj si të duash ti!». Davidi i tha: «Ja, është hënë e re dhe mua më duhet të ulem e të ha me mbretin. Më lër të fshihem në fushë për tri net. Nëse yt atë më kërkon me ngulm, thuaji se m'u desh të të kërkoja ndjesë për të shkuar me të shpejtë në Betlehem që të kushtoja flinë e përvitshme me mbarë fisin. Nëse thotë: “Mirë”, atëherë nuk ka rrezik për shërbëtorin tënd. Nëse zemërohet, dije se ka vendosur të më vrasë. Tregohu besnik me shërbëtorin tënd, se lidhëm besën me njëri-tjetrin para Zotit. Nëse kam faj më vrit vetë, por mos më ço tek yt atë». Jonatani i tha: «Larg qoftë! Po ta kisha ditur se im atë kishte vendosur të të vriste, a nuk do të ta tregoja?». Atëherë Davidi i tha: «Kush do të më njoftojë nëse yt atë të përgjigjet ashpër?». Jonatani iu përgjigj: «Eja të dalim në fushë». Atëherë dolën të dy në fushë. Jonatani i tha: «Pasha Zotin, Perëndinë e Izraelit, nesër apo pasnesër, si në këtë kohë, do ta zbuloj se ç'mendon im atë. Nëse ta do të mirën do të të çoj fjalë. Nëse të do të ligën, keq e më keq ma bëftë Zoti po nuk të çova fjalë e nuk të lashë të ikësh në paqe. Zoti qoftë me ty siç ka qenë me atin tim. Sa të jem gjallë, sillu me mua sipas mirësisë së Zotit. Po të vdes, mos ia moho kurrë shtëpisë sime mirësinë tënde, as kur Zoti t'i ketë shuar nga faqja e dheut të gjithë armiqtë e Davidit». Jonatani lidhi besën me shtëpinë e Davidit e tha: « Zoti ua ktheftë armiqve të Davidit!». Jonatani e vuri në be Davidin për dashurinë që kishte për të, se e donte si veten. Pastaj Jonatani i tha: «Nesër është hënë e re dhe mungesa jote në tryezë do të vihet re. Pasnesër zbrit e shko te vendi ku u fshehe më parë e ndalu te pirgu i gurëve. Unë do të gjuaj tri shigjeta anash gjoja se po qëlloj në shenjë. Do ta çoj djaloshin për të gjetur shigjetat e kur t'i them: “I ke shigjetat nga ana jote. Shko e merri!”, ti eja se, pasha Zotin, je i sigurt e nuk ka rrezik. Po t'i them djaloshit: “I ke shigjetat përtej”, ik se Zoti po të largon. Për këtë që folëm kemi Zotin dëshmitar». Atëherë Davidi u fsheh në fushë. Kur doli hëna e re, mbreti u ul të hante. U ul te vendi pranë murit, siç ulej përherë. Jonatani u ul përballë, Abneri përbri, ndërsa vendi i Davidit ishte bosh. Atë ditë Sauli nuk tha gjë, se mendoi që Davidi mund të kishte qenë i papastër për ndonjë arsye dhe se nuk ia kishte dalë dot të pastrohej. Të nesërmen, ditën e dytë pas hënës së re, vendi i Davidit ishte përsëri bosh. Atëherë Sauli i tha Jonatanit, të birit: «Përse biri i Jeseut nuk ka ardhur të hajë as dje, as sot?». Jonatani iu përgjigj: «Davidi m'u lut të shkonte në Betlehem. Ai më tha: “Të lutem, më lër të shkoj në qytet për të kushtuar flinë me fisin. Më ka urdhëruar im vëlla, prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, më lër të largohem, që të shoh vëllezërit”. Prandaj nuk ka ardhur në tryezën e mbretit». Atëherë Sauli u zemërua fort me Jonatanin e i tha: «Bir i bushtrës së pabesë! Pse, nuk e di unë se ke zgjedhur birin e Jeseut? S'të vjen turp as për vete e as për lakuriqësinë e sat ëme! Për sa kohë të jetojë mbi tokë biri i Jeseut, as ti dhe as mbretëria jote nuk do të jenë të sigurta, prandaj shko e ma sill, se ai ka për të vdekur!». Jonatani iu përgjigj Saulit, të atit: «Pse të vdesë? Çfarë ka bërë?». Por Sauli e gjuajti me heshtë. Atëherë Jonatani e kuptoi se i ati kishte vendosur ta vriste Davidin. Jonatani u ngrit nga tryeza i zemëruar dhe ditën e dytë të hënës së re nuk hëngri, sepse u pikëllua për Davidin dhe se i ati e kishte përbuzur. Në të gdhirë Jonatani shkoi në fushë për të takuar Davidin. Me të ishte edhe një djalosh i vogël. Ai i tha djaloshit: «Vrap, m'i mblidh shigjetat që po gjuaj!». Djaloshi vrapoi e Jonatani i gjuajti shigjetat përtej tij. Kur djaloshi mbërriti te vendi ku ishin shigjetat, që kishte gjuajtur Jonatani, ai i thirri djaloshit e i tha: «Nuk i ke shigjetat nga ana jote, janë përtej! Nxito, mos u vono!». Djaloshi i Jonatanit i mblodhi shigjetat dhe erdhi tek i zoti. Djaloshi nuk kuptoi asgjë. Vetëm Jonatani e Davidi e dinin për çfarë bëhej fjalë. Atëherë Jonatani i dha djaloshit armët e veta e i tha: «Shko e m'i ço në qytet!». Sapo iku djaloshi, Davidi doli nga mbrapa gurit e ra me fytyrë përdhe tri herë. U puthën e zunë të qanin. Davidi qau më shumë. Pastaj Jonatani i tha Davidit: «Shko në paqe, se të dy u zotuam në emër të Zotit kur thamë: “ Zoti qoftë dëshmitar përherë mes meje e teje, mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu!”». Davidi u ngrit e iku, ndërsa Jonatani u kthye në qytet. Davidi mbërriti në Nob, te prifti Ahimelek, i cili u tremb kur e takoi Davidin e i tha: «Përse je vetëm e s'ke askënd me vete?». Davidi iu përgjigj: «Mbreti më ka urdhëruar të kryej një punë e më porositi të mos i tregoj askujt për këtë gjë, prandaj dhe u kam thënë djelmoshave të më presin diku. A të gjenden pesë bukë apo ndonjë gjë tjetër të më japësh?». Prifti iu përgjigj: «Nuk kam asnjë bukë të zakonshme. Kam vetëm bukë të shenjtëruara, por djelmoshat nuk duhet të kenë shkuar me gra». Davidi iu përgjigj priftit: «Pa dyshim. Gratë nuk na lejohen kur nisemi për udhë. Djelmoshat e kanë gjymtyrën të shenjtëruar edhe kur dalim rëndom. Sot e kanë edhe më të shenjtëruar!». Atëherë prifti i dha bukë të shenjtëruar, se nuk kishte bukë tjetër përveç bukës së paraqitjes që e kishte hequr nga prania e Zotit për ta zëvendësuar me bukë të ngrohtë. Atë ditë ndodhej aty një prej shërbëtorëve të Saulit për të përmbushur një detyrim para Zotit. Ai quhej Doeg Edomiti dhe ishte i forti i barinjve të Saulit. Davidi i tha Ahimelekut: «A të gjendet këtu ndonjë heshtë apo ndonjë shpatë? Nuk i mora dot me vete shpatën dhe armët, ngaqë nxitoja për punët e mbretit». Prifti u përgjigj: «Kam shpatën e Goliat Filistinit që ti e vrave në luginën e Elahut. Është e mbështjellë me një copë, mbrapa efodit. Merre nëse e do, se tjetër armë këtu nuk ka». Davidi i tha: «Kësaj s'i gjendet shoqja, ma jep!». Atë ditë Davidi iku larg Saulit e shkoi tek Akishi, mbreti i Gatit. Shërbëtorët e Akishit i thanë mbretit: «A nuk është ky Davidi, mbreti i vendit? A nuk është ky ai për të cilin këndojnë e kërcejnë duke thënë: “Sauli vrau një mijë, ndërsa Davidi dhjetëra mijëra!”?». Davidit i bënë përshtypje këto fjalë dhe i hyri frikë e madhe nga Akishi, mbreti i Gatit. Atëherë u shtir para tyre si i marrë duke çjerrë kanatet e portave e duke i lënë jargët t'i rridhnin nëpër mjekër. Akishi u tha shërbëtorëve: «A nuk e shihni se është i marrë, përse e sillni tek unë? A nuk kam mjaft të marrë që më paraqitni edhe këtë që sillet si i marrë para meje? Mos e lini të hyjë në shtëpinë time». Davidi iku që andej dhe ia mbathi për te shpella e Adulamit. Kur e morën vesh, vëllezërit dhe tërë shtëpia e të atit shkuan tek ai. Me të u bashkuan të gjithë ata që ishin ngushtë, që kishin marrë hua e që ishin të pakënaqur. Davidi u bë prijësi i tyre. Ishin rreth katërqind vetë. Davidi u nis që andej, shkoi në Micpah të Moabit e i tha mbretit të Moabit: «Të lutem, lejoji tim atë e time më të rrinë me ju derisa të marr vesh se çfarë do të bëjë Perëndia me mua». I solli te mbreti i Moabit e ata banuan me të gjatë gjithë kohës që Davidi u strehua në fortesë. Profeti Gad i tha Davidit: «Mos rri më në fortesë, por shko në tokën e Judës». Davidi shkoi e mbërriti në pyllin e Haretit. Kur e mori vesh se Davidin e kishin parë bashkë me njerëzit e tij, Sauli ndodhej në Gibeah. Ishte ulur nën një mare, në një kodrinë. Mbante një heshtë në dorë e ishte rrethuar me shërbëtorë. Ai u tha shërbëtorëve që e rrethonin: «Dëgjoni, o benjaminas! A do t'ju japë biri i Jeseut ara e vreshta secilit prej jush? A do t'ju bëjë të gjithëve kryemijës apo kryeqindës? Përse, pra, shestoni kundër meje? Si nuk doli askush të më njoftonte për besën që lidhi im bir me birin e Jeseut? Si nuk i erdhi keq për mua asnjërit prej jush që të më njoftonte se im bir po i ndërsen shërbëtorët e mi të më fusin në kurth, siç po ndodh sot?». Atëherë Doeg Edomiti, që ishte mes shërbëtorëve të Saulit, tha: «E kam parë të birin e Jeseut kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, biri i Ahitubit. Ahimeleku e pyeti Zotin për të e i dha ushqime dhe shpatën e Goliat Filistinit». Atëherë mbreti dërgoi njerëz që të sillnin prej Nobit priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë familjen e tij priftërore. Të gjithë erdhën te mbreti. Sauli i tha: «Dëgjo, o i biri i Ahitubit!». Ai u përgjigj: «Urdhëro, imzot!». Sauli i tha: «Përse sheston kundër meje bashkë me të birin e Jeseut? I dhe bukë e shpatë e u këshillove me Perëndinë për të, që të ngrihej kundër meje e të më zinte në kurth, siç po ndodh sot». Ahimeleku iu përgjigj mbretit e i tha: «Cili nga tërë shërbëtorët e mbretit është besnik si Davidi? Ai është dhëndri i mbretit, prijësi i rojës sate dhe njeri i nderuar në familjen tënde! Pse, a sot fillova ta pyes Perëndinë për të? Kurrsesi! Mos t'i shkojë në mendje mbretit asgjë e keqe për shërbëtorin e vet apo për tërë shtëpinë e atit tim, se shërbëtori yt nuk ka ditur as gjënë më të vogël!». Por mbreti i tha: «Do të dënohesh me vdekje Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia jote!». Pastaj mbreti u tha rojave që ishin me të: «Shkoni e vritni priftërinjtë e Zotit, se edhe ata e përkrahin Davidin. E dinin se po ikte e nuk më njoftuan». Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të vinin dorë mbi priftërinjtë e Zotit për t'i vrarë. Atëherë mbreti i tha Doegut: «Shko ti e vriti priftërinjtë». Doeg Edomiti u kthye e i vrau priftërinjtë. Atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë burra që mbanin efodin e linjtë. Edhe Nobin, qytetin e priftërinjve, e shkoi në teh të shpatës. Shkoi në teh të shpatës burra e gra, fëmijë e foshnja, qe, gomarë e dhen. Por njëri nga bijtë e Ahimelekut, të birit të Ahitubit, shpëtoi e shkoi pas Davidit. Ai quhej Abiatar. Kur i tregoi Davidit se Sauli i kishte vrarë priftërinjtë e Zotit, Davidi i tha: «E dija që atë ditë se Doeg Edomiti, duke qenë atje, do ta njoftonte Saulin. Unë ia solla vdekjen tërë shtëpisë së atit tënd. Rri me mua e mos ki frikë. Ai që po kërkon të më marrë jetën mua, po kërkon të ta marrë edhe ty. Tek unë do të jesh i sigurt!». Davidin e lajmëruan e i thanë: «Ja, filistinët po sulmojnë Kejlahun e po përlajnë lëmenjtë». Atëherë Davidi pyeti Zotin: «A t'i sulmoj filistinët?». Zoti iu përgjigj: «Sulmoji filistinët e çliroje Kejlahun». Por njerëzit e Davidit i thanë: «Ja, ne jemi në Judë e na ka kapur frika. Si të shkojmë në Kejlah kundër forcave filistine?». Atëherë Davidi pyeti sërish Zotin e ai iu përgjigj: «Ngrihu e shko në Kejlah, se unë po t'i dorëzoj filistinët». Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi në Kejlah, i sulmoi filistinët dhe dëboi bagëtitë e tyre. Filistinët u shpartalluan dhe Davidi i çliroi banorët e Kejlahut. Abiatari, biri i Ahimelekut, kishte shkuar te Davidi në Kejlah dhe kishte marrë me vete efodin. Saulin e lajmëruan se Davidi kishte mbërritur në Kejlah. Atëherë ai tha: «Ma ka dorëzuar Perëndia, se shkoi e u mbyll në një qytet me dyer e shula». Sauli mblodhi tërë popullin për të mësyrë Kejlahun e për të rrethuar Davidin e njerëzit e tij. Davidi e mori vesh se Sauli po kurdiste ligësi kundër tij, prandaj i tha priftit Abiatar që të sillte efodin. Atëherë Davidi tha: «O Zot, Perëndia i Izraelit, shërbëtori yt mori vesh se Sauli po kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim. A do të më dorëzojnë banorët e Kejlahut te Sauli? A do të vijë Sauli, siç dëgjoi shërbëtori yt, o Zot, Perëndia i Izraelit? Tregoji, të lutem, shërbëtorit tënd!». Zoti iu përgjigj: «Sauli do të vijë». Davidi e pyeti: «A do të na dorëzojnë te Sauli krerët e Kejlahut?». Zoti i tha: «Po, do t'ju dorëzojnë». Atëherë Davidi dhe gjashtëqind njerëzit e tij ikën prej Kejlahut e u endën gjithandej. Saulit i treguan se Davidi kishte ikur prej Kejlahut dhe ai nuk e sulmoi. Davidi banoi në fortesat e shkretëtirës, në malësinë e shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte ditë për ditë, por Perëndia nuk ia dorëzoi kurrë Davidin. Davidi ishte në shkretëtirën e Zifit, në Horesh, kur pa se Sauli kishte dalë për t'i marrë jetën. Jonatani, biri i Saulit, u ngrit e shkoi te Davidi në Horesh. Ai i dha zemër në emër të Perëndisë e i tha: «Mos ki frikë, se Sauli, ati im, nuk ka për të të gjetur. Ti do të mbretërosh në Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë». Të dy lidhën besën para Zotit. Davidi qëndroi në Horesh e Jonatani u kthye në shtëpi. Atëherë zifitët shkuan te Sauli në Gibeah e i thanë: «Davidi fshihet mes nesh, në fortesat e Horeshit, në malin e Hakilahut, që ndodhet në jug të Jishmonit. Prandaj, eja, o mbret, kur të ta ketë ënda e ne do të ta dorëzojmë». Sauli u tha: « Zoti ju bekoftë, se po tregoheni të dhembshur me mua. Shkoni e sigurohuni përsëri. Gjeni e shikoni ku i shkel këmba e kush e ka parë atje, se kam dëgjuar se është shumë dinak. Shikoni e gjeni të gjitha vendet ku fshihet, pastaj ejani tek unë të sigurt e unë do të vij me ju. Nëse ndodhet në këtë vend, do ta kërkoj anekënd Judës». Ata u larguan nga Sauli e shkuan në Zif. Davidi e njerëzit e tij ndodheshin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të Jishmonit. Sauli e njerëzit e tij shkuan për ta kërkuar, por Davidin e njoftuan dhe ai zbriti te shkëmbi e banoi në shkretëtirën e Maonit. Sauli e mori vesh dhe e gjurmoi nëpër shkretëtirën e Maonit. Sauli shkoi në njërin shpat të malit, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shpatin tjetër. Davidi nxitoi të largohej prej Saulit, kur Sauli dhe njerëzit e tij po i rrethonin për t'i kapur. Atëherë mbërriti një lajmëtar te Sauli e i tha: «Nxito dhe eja shpejt, se filistinët po sulmojnë vendin». Sauli hoqi dorë nga ndjekja e Davidit e shkoi të ndeshej me filistinët, prandaj ai vend u quajt shkëmbi i Hamahlekotit. Davidi iku prej andej e jetoi në fortesat e En Gedit. Kur Sauli u kthye nga ndjekja e filistinëve, e njoftuan e i thanë: «Ja, Davidi është në shkretëtirën e En Gedit». Atëherë ai mori tre mijë burra të përzgjedhur nga mbarë Izraeli e shkoi drejt Shkëmbinjve të Dhive për të kërkuar Davidin e njerëzit e tij. Mbërriti te vatha e dhenve që ishte rrugës. Atje ishte një shpellë. Sauli hyri aty për të kryer nevojat. Në atë shpellë ishte fshehur Davidi me njerëzit e vet Atëherë njerëzit e Davidit i thanë: «Ja, sot është dita. Zoti, Perëndia yt, të pati thënë se do të ta dorëzonte armikun tënd që të bësh me të si të duash». Davidi u ngrit e preu tinëz një copë nga petku i Saulit. Më vonë Davidit i erdhi keq që i preu rrobën Saulit. Pastaj u tha njerëzve të vet: « Zoti më ruajt, t'i bëj ndonjë gjë timzoti e të ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit. Ai është i vajosuri i Zotit ». Davidi i qortoi njerëzit e vet me këto fjalë e nuk i lejoi t'i suleshin Saulit. Sauli doli prej shpellës e vijoi rrugën. Pastaj Davidi doli prej shpellës e i thirri Saulit: «Imzot, mbret!». Sauli ktheu kokën, Davidi u përkul me fytyrë përdhe dhe e nderoi. Atëherë Davidi i tha: «Përse dëgjon fjalët e të tjerëve kur të thonë se Davidi ta do të ligën? Ja, sot e pe me sytë e tu se Zoti të la në dorën time kur ishe në shpellë. Më thanë të të vrisja, por m'u dhimbse e thashë: “Nuk ngre dorë kundër timzoti, se ai është i vajosuri i Zotit ”. Shiko, ati im, në dorë kam një copë prej petkut tënd. Të preva një copë prej petkut, por nuk të vrava. Dije, pra, se nuk kam ndër mend të kryej ndonjë ligësi apo paudhësi dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje. Je ti që më zë pritë për të më vrarë. Zoti gjykoftë mes meje e teje. Zoti ma marrtë hakun, se dora ime nuk do të ngrihet kundër teje. Siç thotë një fjalë e urtë e moçme: “Prej të paudhëve rrjedh paudhësia”, prandaj dora ime nuk do të ngrihet kundër teje! Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Kë po ndjek ti? Një qen të ngordhur, një plesht! Zoti gjykoftë e vendostë mes meje e teje! Ai e paftë dhe e mbrojttë çështjen time e prej dorës tënde më çliroftë». Pas këtyre fjalëve, Sauli tha: «Zëri yt është ky që dëgjoj, o David, biri im?». Dhe u shkreh në vaj. Pastaj i tha Davidit: «Ke të drejtë ti e jo unë! Ti je sjellë mirë me mua, por unë jam sjell keq! Sot tregove mirësi ndaj meje, se nuk më vrave edhe pse Zoti më la në dorën tënde. Kush është ai që e kap armikun dhe e lë të lirë? Zoti ta shpërbleftë me të mira atë që bëre sot për mua, se e di që do të bëhesh mbret dhe se do ta kesh në dorë mbretërinë e Izraelit. Prandaj m'u beto për Zotin se nuk do ta shuash farën time pas meje dhe se nuk do ta zhdukësh emrin tim prej shtëpisë së tim eti». Atëherë Davidi iu betua Saulit. Sauli shkoi në shtëpi e Davidi me njerëzit e vet shkoi në fortesë. Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u mblodh dhe e vajtoi. E varrosën në vendlindjen e tij, në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Paranit. Në Maon jetonte një burrë shumë i pasur që punonte në Karmel. Ai kishte tre mijë dhen dhe një mijë dhi. Në atë kohë gjendej në Karmel për qethjen e dhenve. Ai quhej Nabal dhe e shoqja quhej Abigajlë. Ajo ishte e mençur dhe e bukur, ndërsa i shoqi i vrazhdë e i lig. Ai ishte prej familjes së Kalebit. Kur Davidi dëgjoi në shkretëtirë se Nabali po qethte dhentë, dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: «Shkoni te Nabali në Karmel, përshëndeteni në emrin tim e thuajini: “Të paça me jetë! Paqja qoftë me ty, me shtëpinë tënde e me gjithçka që të përket. Dëgjova se po qeth dhentë. Ti e di se ne nuk i ngacmuam barinjtë e tu kur ishin me ne. Nuk u humbi as një qengj gjatë gjithë kohës që ishin në Karmel. Pyeti djelmoshat e ata do të të tregojnë. Prandaj, priti mirë djelmoshat e mi. Të kemi ardhur në ditë të mirë. Jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd, Davidit, ç'të të gjendet”». Djelmoshat e Davidit shkuan te Nabali, ia thanë të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe pritën. Atëherë Nabali iu përgjigj shërbëtorëve të Davidit e u tha: «Kush është Davidi? E kush është biri i Jeseut? Sot ka shumë shërbëtorë që u ikin zotërinjve të tyre! Pse, u dashka ta marr bukën time, ujin tim e flinë time, që kushtova për qethtarët e mi, e t'ua jap disa njerëzve që nuk e di as nga vijnë?». Djelmoshat e Davidit u kthyen e i treguan Davidit gjithçka. Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: «Ngjishni shpatat!». Të gjithë bashkë me Davidin ngjeshën shpatat dhe katërqind burra shkuan pas tij. Dyqind të tjerë ndenjën me pajisjet. Njëri nga djelmoshat foli me Abigajlën, të shoqen e Nabalit, e i tha: «Davidi i dërgoi zotërisë sonë lajmëtarë nga shkretëtira për ta uruar, por ai iu hakërrye. Këta njerëz janë treguar të mirë me ne, nuk na kanë ngacmuar e nuk na ka humbur asgjë kur endeshim me ta nëpër ara. Na u bënë mur mbrojtës natë e ditë gjatë gjithë kohës që kullotnim tufat me ta. Tani, mendohu mirë se çfarë do të bësh, se ka për ta zënë e keqja zotërinë tonë e shtëpinë e tij. Ai është i poshtër e askush nuk i flet dot». Atëherë Abigajla mori me nxitim dyqind bukë, dy kacekë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa drithi të pjekur, njëqind vile rrush të thatë e dyqind bukëfiqe e i ngarkoi mbi gomarë. Pastaj u tha shërbëtorëve të vet: «Shkoni para, se unë do të vij pas jush», pa i treguar asgjë Nabalit, të shoqit. Kur ajo po zbriste, hipur mbi gomar, nën hijen e malit, i dolën para Davidi e njerëzit e tij dhe ajo i takoi. Ndërkohë Davidi po thoshte me vete: «Kot ia ruajta gjënë këtij në shkretëtirë pa i humbur asgjë. Ai po ma kthen të mirën me të keqe. Më zi ma bëftë Perëndia nëse deri nesër në të gdhirë i lë gjallë ndonjë mashkull». Kur e pa Davidin, Abigajla zbriti me të shpejtë prej gomarit e ra përdhe para tij me nderim. Ra te këmbët e tij e i tha: «Faji është i imi, imzot, vetëm i imi. Të lutem lëre shërbëtoren tënde të flasë! Dëgjoje fjalën e shërbëtores sate! Të mos shqetësohet imzot për Nabalin, për këtë njeri të poshtër, sepse siç ka emrin, ashtu është, Nabal quhet e i marrë është. Por unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat që kishte dërguar imzot. E tani, imzot, pasha Zotin e pasha jetën tënde, Zoti nuk të la të derdhje gjak e të merrje hak me dorën tënde. U bëfshin si Nabali të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që i duan të keqen timzoti. Prandaj, pranoje këtë dhuratë që shërbëtorja jote i solli timzoti e jepua djelmoshave që ndjekin timzot. Falja shkeljen shërbëtores sate, se Zoti me të vërtetë do t'i japë timzoti një mbretëri të përhershme. Imzot po lufton betejat e Zotit dhe asnjë mbrapshti nuk do të gjendet në ty gjatë gjithë jetës tënde. Edhe nëse ngrihet dikush të të përndjekë e të të marrë jetën, jeta e timzoti do të jetë në shtjellën e të gjallëve pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa shpirti i armiqve do të vërtitet si guri me hobe. E kur Zoti t'i përmbushë të gjitha mirësitë që i premtoi timzoti e të të caktojë prijës mbi Izraelin, timzot nuk do ta brejë ndërgjegjja për gjakun që do të derdhte kot apo se do të merrte vetë hak. E kur Zoti t'i sjellë mirësi timzoti, kujtohu për shërbëtoren tënde». Atëherë Davidi i tha Abigajlës: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që të dërgoi sot për të më takuar. Bekuar qofsh për urtinë që tregove, se sot nuk më le të derdhja gjak e të merrja vetë hak. Pasha Perëndinë e Izraelit, që nuk më la të të bëja keq, po të mos kishe nxituar për të më takuar, Nabalit nuk do t'i kishte mbetur në mëngjes asnjë mashkull». Atëherë Davidi mori prej saj çfarë i kishte sjellë e i tha: «Kthehu e qetë në shtëpi. Ta dëgjova fjalën e po ta plotësoj kërkesën». Abigajla u kthye te Nabali. Ai po festonte në shtëpi si në një gosti mbreti. Ishte i gëzuar e shumë i dehur. Abigajla nuk i tregoi asgjë deri në të gdhirë. Të nesërmen në mëngjes, pasi i doli pija, Abigajla, e shoqja, i tregoi gjithçka. Nabalit i ngriu zemra në kraharor e shtangu si gur. Pas dhjetë ditëve, Zoti e goditi Nabalin e ai vdiq. Kur mori vesh se Nabali kishte vdekur, Davidi tha: «Bekuar qoftë Zoti që e shpagoi fyerjen që më bëri Nabali, ai nuk e la shërbëtorin e tij të bënte keq e Nabalit i ra mbi kokë e keqja e vet». Atëherë Davidi dërgoi disa njerëz të flisnin me Abigajlën që ta merrte për grua. Shërbëtorët e Davidit shkuan në Karmel te Abigajla e i thanë: «Davidi na ka dërguar te ti që të të marrim nuse». Ajo u ngrit, u përkul përdhe e u tha: «Ja, shërbëtorja jote është gati t'ua lajë këmbët shërbëtorëve të imzoti». Abigajla u ngrit me nxitim e i hipi gomarit. Bashkë me pesë shërbëtoret e saj ndoqi lajmëtarët e Davidit. Ajo u bë gruaja e tij. Davidi kishte marrë për grua edhe Ahinoamën prej Izrelit. Të dyja u bënë gratë e tij. Mikalën, bijën e vet, gruan e Davidit, Sauli ia kishte dhënë Paltiut, birit të Laishit prej Galimit. Zifitët shkuan te Sauli në Gibeah e i thanë: «Davidi po fshihet në malësinë e Hakilahut, kundruall Jishmonit». Sauli u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Zifit për të kërkuar Davidin. Me të ishin tre mijë izraelitë të përzgjedhur. Sauli fushoi buzë rrugës në malësinë e Hakilahut që ishte kundruall Jishmonit. Davidi banonte në shkretëtirë e, kur pa se Sauli po e ndiqte në shkretëtirë, dërgoi përgjues dhe mësoi vendin ku kishte mbërritur Sauli. Pastaj ai u ngrit e shkoi ku fushonte Sauli. Davidi e vrojtoi vendin ku pushonin Sauli e Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë. Në mes të fushimit po pushonte Sauli me ushtrinë përreth. Atëherë Davidi i tha Ahimelek Hititit e Abishait, birit të Cerujahut, vëllait të Joabit: «Kush do të zbresë me mua te fushimi i Saulit?». Abishai i tha: «Do të zbres unë me ty». Davidi e Abishai shkuan gjatë natës tek ushtria. Sauli po flinte në fushim me heshtën e ngulur në tokë pranë kokës. Abneri e ushtria flinin përreth tij. Abishai i tha Davidit: «Sot Perëndia ta ka lënë në dorë armikun. Më lër ta ngul në tokë me një të rënë të heshtës pa e goditur dy herë». Por Davidi i tha: «Mos i bëj keq. Kush ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit dhe mbetet i pafajshëm?». Davidi shtoi: «Pasha Zotin, ose do ta godasë Zoti, ose do t'i vijë vdekja vetë, ose do të bjerë në luftë e do të marrë fund. Mos e thëntë Zoti që unë të ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit. Merrja heshtën pranë kokës e katruven e ujit dhe eja të ikim». Davidi mori heshtën e katruven e ujit, që ishin pranë kokës së Saulit, e ata ikën. Askush nuk i pa, askush nuk mori vesh gjë e askush nuk u zgjua. Të gjithë po flinin, se i kishte zënë një gjumë i thellë prej Zotit. Davidi kaloi në anën tjetër e qëndroi në majë të malit. Ata ishin shumë larg njëri-tjetrit. Atëherë Davidi i thirri ushtrisë e Abnerit, birit të Nerit, e u tha: «Përgjigjmu, o Abner!». Abneri ia ktheu: «Kush je ti që po i thërret mbretit?». Davidi i tha: «A je burrë? Kush është si ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte, zotërinë tënd, mbretin? Dikush nga populli erdhi t'i bënte keq mbretit, zotërisë tënd. Kjo nuk është gjë e mirë. Pasha Zotin, ju meritoni të vdisni, se nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit. Shikoni, pra, a nuk janë këto heshta e katruvja e ujit që mbante te koka mbreti?». Sauli e njohu zërin e Davidit e i tha: «A është zëri yt ky, o David, biri im?». Davidi iu përgjigj: «Po, imzot, mbret». Ai shtoi: «Përse e përndjek kështu shërbëtorin tënd, imzot? Çfarë kam bërë? Ç'faj kam? Dëgjoje, pra, o imzot, fjalën e shërbëtorit tënd. Nëse të ka ngucur Zoti kundër meje, atë e qetësoftë flija erëkëndshme! Por, në qofshin njerëzit, mallkuar qofshin para Zotit, se më kanë hequr nga trashëgimia e Zotit e më kanë thënë: “Ik e shërbeju perëndive të tjerë!”. Prandaj mos e lër gjakun tim të derdhet larg pranisë së Zotit, se mbreti i Izraelit ka dalë të ndjekë një plesht, a thua se po gjuan ndonjë thëllëzë mali». Atëherë Sauli i tha: «Kam mëkatuar! Kthehu biri im, David, se nuk do të të bëj më keq. Sot tregove se jeta ime është e shtrenjtë për ty. Kam vepruar si i marrë e kam gabuar shumë rëndë!». Davidi iu përgjigj: «Ja ku e ke heshtën, o mbret. Dërgo një nga djelmoshat ta marrë. Zoti shpërbleftë këdo sipas drejtësisë e besnikërisë së vet! Sot ai të dorëzoi në duart e mia, por unë nuk desha të ngrija dorë kundër të vajosurit të Zotit. Siç ishte sot jeta jote e shtrenjtë për mua, ashtu është edhe jeta ime para Zotit. Ai më shpëtoftë prej çdo rreziku!». Sauli i tha Davidit: «Bekuar qofsh, o David, biri im. Të priftë e mbara në çdo gjë që bën». Atëherë Davidi shkoi udhës së vet e Sauli u kthye në vendin e vet. Davidi tha me vete: «Ndonjë ditë Sauli do të më heqë qafe. Më mirë të shkoj në tokën e filistinëve. Sauli do të mërzitet duke më kërkuar në mbarë krahinën e Izraelit e unë do të shpëtoj prej dorës së tij». Kështu, Davidi, bashkë me gjashtëqind burra, u ngrit e shkoi tek Akishi, biri i Maokut, mbreti i Gatit. Davidi u vendos në Gat tek Akishi, ai e njerëzit e tij, secili në shtëpinë e vet. Davidi i kishte me vete të dyja gratë, Ahinoamën prej Izrelit e Abigajlën, gruan e Nabalit prej Karmelit. Kur e njoftuan se Davidi kishte ikur në Gat, Sauli nuk e gjurmoi më. Davidi i tha Akishit: «Nëse kam gjetur hir para teje, më jep një vendbanim në fushë, në njërin nga qytetet e tua. Përse të banojë shërbëtori yt bashkë me ty në qytetin mbretëror?». Akishi i dha atë ditë Ciklagun, prandaj edhe sot e kësaj dite Ciklagu i përket Judës. Davidi banoi në vendin e filistinëve një vit e katër muaj. Davidi me njerëzit e tij dilnin e plaçkitnin geshuritët, gizritët e amalekitët, se këta ishin banorët e lashtë, prej Shurit deri në tokën e Egjiptit. Kur Davidi sulmonte një vend, nuk linte gjallë as burra, as gra. Ua merrte dhentë, bagëtitë, gomarët, devetë e plaçkat e kthehej në Akish. Kur Akishi e pyeste: «Cilin vend plaçkite sot?», ai përgjigjej: «Negevin e Judës, Negevin e Jerahmelit e Negevin e Keniut». Davidi nuk linte gjallë asnjë burrë e asnjë grua dhe nuk sillte njeri në Gat, që të mos e paditnin e të thoshin: «Kështu veproi Davidi!». Kjo ishte sjellja e tij gjatë gjithë kohës që banoi në vendin e filistinëve. Akishi i zinte besë Davidit e thoshte: «Është bërë i urryer për popullin e vet në Izrael. Ka për të mbetur përherë shërbëtori im!». Në ato ditë filistinët mblodhën ushtritë për të sulmuar Izraelin. Akishi i tha Davidit: «Dije mirë se ti e njerëzit e tu do të dalin në luftë bashkë me mua». Davidi i tha: «Do ta marrësh vesh se çfarë mund të bëjë shërbëtori yt». Akishi ia ktheu: «Do të jesh truproja ime përgjithmonë». Samueli kishte vdekur dhe tërë Izraeli e kishte vajtuar. E kishin varrosur në Ramah, në qytetin e vet. Sauli i kishte dëbuar nga vendi shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Filistinët u mblodhën e fushuan në Shunem. Sauli bashkë me tërë Izraelin fushoi në Gilboa. Kur Sauli pa fushimin e filistinëve, u frikësua e iu drodh zemra fort. Ai pyeti Zotin, por Zoti nuk iu përgjigj as në ëndrra, as me Urimë, as përmes profetëve. Atëherë u tha shërbëtorëve: «Më gjeni një grua që thërret shpirtra të vdekurish. Do të shkoj tek ajo për ta pyetur». Shërbëtorët i thanë: «Në Endor është një grua që thërret shpirtra të vdekurish!». Sauli ndërroi rrobat, që të mos njihej, e shkoi atje me dy burra. Kur mbërritën te gruaja, ishte natë. Ai i tha: «Thirr shpirtrat e të vdekurve e ngri atë që të them unë». Gruaja iu përgjigj: «Ti e di mirë çfarë ka bërë Sauli. Ai i ka zhbirë nga faqja e dheut shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Përse po më ngre kurth? Që të më vrasin?». Sauli iu betua për Zotin e i tha: «Pasha Zotin nuk do të dënohesh për këtë». Ajo i tha: «Kë dëshiron të thërras?». Ai i tha: «Më thirr Samuelin». Kur gruaja pa Samuelin, bërtiti me të madhe e i tha Saulit: «Pse më mashtrove? Ti qenke Sauli!». Por mbreti i tha: «Mos ki frikë! Çfarë pe?». Gruaja i tha Saulit: «Shoh një hyjni që po ngrihet prej tokës». Ai e pyeti: «Ç'pamje ka?». Ajo tha: «Po ngrihet një plak, mbështjellë me gunë». Atëherë Sauli e kuptoi që ishte Samueli, prandaj ra me fytyrë përdhe dhe e nderoi. Samueli i tha Saulit: «Përse më trazove e më ngrite?». Sauli i tha: «Gjendem shumë ngushtë. Filistinët po më sulmojnë dhe Perëndia është larguar prej meje. Nuk më përgjigjet as përmes profetëve e as në ëndrra. Të kam thirrur të më tregosh çfarë të bëj». Samueli iu përgjigj: «Pse më pyet mua? Zoti është larguar prej teje dhe e ke kundër. Zoti ka vepruar siç kishte thënë përmes meje. Ai ta ka hequr mbretërinë prej dorës e ia ka dhënë të afërtit tënd, Davidit. Ti nuk e dëgjove zërin e Zotit e nuk e zbatove dënimin e tij kundër amalekitëve, prandaj Zoti ta bëri sot këtë gjë. Zoti do të dorëzojë edhe Izraelin në duart e filistinëve bashkë me ty. Nesër ti e bijtë e tu do të vini këtu ku jam unë, se Zoti do t'ua dorëzojë filistinëve fushimin e Izraelit». Sauli u shemb i tëri përdhe nga tmerri i fjalëve të Samuelit. E lanë edhe fuqitë, se nuk kishte ngrënë gjithë ditën e gjithë natën. Gruaja iu afrua Saulit, e pa të tmerruar e i tha: «Ja, shërbëtorja jote ta dëgjoi zërin. E vura jetën në rrezik e i dëgjova fjalët që më the. Dëgjoja fjalën shërbëtores sate e më lër të të nxjerr pak bukë. Ha që të kesh fuqi për udhë». Ai nuk pranoi të hante, por shërbëtorët e gruaja ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi. Pastaj u ngrit nga toka e u ul në shtrat. Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë. E theri me të shpejtë, pastaj mori miell e poqi bukë të ndorme. Ua shtroi para Saulit e shërbëtorëve të tij e ata hëngrën. Pastaj u ngritën e shkuan po atë natë. Filistinët i mblodhën tërë trupat në Afek, ndërsa izraelitët fushuan te burimi i Izrelit. Prijësit filistinë parakaluan me njësitë qindëshe e mijëshe, Davidi me njerëzit e tij parakaluan të fundit bashkë me Akishin. Prijësit e filistinëve thanë: «Ç'kërkojnë këta hebrenj?». Akishi iu përgjigj: «Pse jo? Ky është Davidi, shërbëtori i Saulit, mbretit të Izraelit. Ai është me mua prej kohësh e nuk kam asnjë qortim për të, që kur është arratisur e deri tani». Prijësit e filistinëve u zemëruan e i thanë: «Ktheje këtë njeri te vendi që i caktove. Të mos vijë me ne në luftë, se do të na dalë kundër në betejë. E si do të pajtohet ky me zotërinë e vet, përveçse me kokat e njerëzve tanë? A nuk është ky Davidi, për të cilin hidhnin valle e këndonin: “Sauli vrau me mijëra, Davidi me dhjetëra mijëra”?». Atëherë Akishi e thirri Davidin e i tha: «Pasha Zotin, ti je njeri i drejtë. Unë doja që ti të vije me mua në fushim, se nuk kam gjetur asnjë ligësi në ty që nga dita kur erdhe tek unë e deri më sot, por ti nuk u pëlqen prijësve. Kthehu, shko në paqe e mos i fyej prijësit e filistinëve». Davidi iu përgjigj: «Çfarë kam bërë? Ç'faj ke gjetur te shërbëtori yt, që prej ditës kur erdha te ti e deri tani, që të mos vij në luftë kundër armiqve të zotërisë tim, mbretit?». Akishi iu përgjigj Davidit: «E di se je i mirë. Për mua je si engjëll Perëndie, por prijësit e filistinëve më kërkuan të mos dilje në luftë me ne. Prandaj ngrihu herët bashkë me shërbëtorët e zotërisë tënd që kanë ardhur me ty. Ngrihuni me t'u gdhirë e shkoni». Davidi e njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes e u nisën për t'u kthyer në tokën e filistinëve. Filistinët u ngjitën drejt Izrelit. Pas tre ditësh Davidi e njerëzit e tij mbërritën në Ciklag, por amalekitët i kishin rënë Negevit e Ciklagut. E kishin sulmuar Ciklagun e i kishin vënë zjarrin. Kishin marrë rob gratë e qytetit, nga më e reja te më e vjetra. Nuk kishin vrarë askënd, por i kishin dëbuar e ata kishin marrë udhën. Kur mbërriti në qytet me njerëzit e tij, Davidi pa se qyteti po digjej e gratë ishin marrë rob me bij e bija. Atëherë Davidi e burrat që ishin me të vunë kujën e qanë derisa s'patën më fuqi të qanin. Ishin zënë rob edhe dy gratë e Davidit, Ahinoama prej Izrelit dhe Abigajla, gruaja e Nabalit prej Karmelit. Davidi u gjend ngushtë, se populli po mendonte ta vriste me gurë ngaqë të gjithë ishin shumë të hidhëruar për shkak të bijve e bijave të tyre. Por Davidi gjeti forcë në Zotin, Perëndinë e tij. Davidi i tha priftit Abiatar, birit të Ahimelekut, t'i sillte efodin dhe ai ia solli. Atëherë Davidi e pyeti Zotin: «A ta ndjek këtë hordhi? A do t'i zë dot?» Ai i tha: «Po, ndiqi, se do t'i zësh e do t'i shpëtosh robërit». Davidi u nis me gjashtëqind burra e mbërriti te përroi i Besorit. Disa prej tyre u ndalën aty. Davidi i ndoqi edhe më tej me katërqind burra. Dyqind burrat që u ndalën te përroi i Besorit, ishin të rraskapitur e nuk mund të shkonin më tej. Në fushë hasën një egjiptian, e çuan te Davidi e i dhanë bukë e ujë. I dhanë edhe një copë bukëfiqe e dy vile rrushi të thatë. Ai hëngri dhe i erdhi shpirti në vend, se nuk kishte ngrënë e nuk kishte pirë për tri ditë e tri net. Atëherë Davidi e pyeti: «I kujt je e nga vjen?». Ai iu përgjigj: «Jam djalosh egjiptian, shërbëtor i një amalekiti, por imzot më braktisi para tri ditësh, se u sëmura. Ne plaçkitëm Negevin e Keretit, Negevin e Judës dhe Negevin e Kalebit, ndërsa Ciklagut i vumë zjarrin». Davidi i tha: «A po më çon te kjo hordhi?». Ai i tha: «M'u beto për Perëndinë se nuk do të më vrasësh e nuk do të më dorëzosh tek imzot dhe unë do të të çoj tek ajo hordhi». Kur i çoi tek amalekitët, ata ishin shpërndarë anekënd vendit e po festonin me prenë që kishin plaçkitur nga toka e filistinëve dhe e Judës. Të nesërmen, Davidi i sulmoi në të gdhirë e nuk pushoi deri në mbrëmje. Asnjë nuk shpëtoi, përveç katërqind djelmosha që u hipën deveve e ikën. Davidi shpëtoi dy gratë e veta e gjithçka që kishin plaçkitur amalekitët. Nuk u mungonte asgjë e plaçkitur, nga më e madhja te më e vogla, as bij e bija, as plaçkë e pre. Davidi i ktheu të gjitha. Ai mori edhe gjithë dhentë e qetë. Kur i sollën bagëtitë para tij thanë: «Kjo është preja e Davidit». Pastaj Davidi u kthye te dyqind burrat që ishin ndalur te përroi i Besorit e nuk e kishin ndjekur Davidin, se kishin qenë të rraskapitur prej udhës. Ata dolën ta takonin Davidin e burrat që ishin me të. Davidi u afrua e i përshëndeti. Disa njerëz të këqij e të poshtër, që kishin shkuar me Davidin, thanë: «Këta nuk erdhën me ne, prandaj nuk do t'u japim asgjë prej plaçkës që kapëm. Të marrin vetëm gratë e fëmijët e vet e të ikin». Davidi u tha: «Vëllezërit e mi, mos veproni kështu me ç'na dha Zoti. Ai na ruajti e na e dorëzoi hordhinë që na sulmoi. E kush do t'u vërë vesh fjalëve tuaja! Si ata që shkuan në luftë, edhe ata që ndenjën me pajisjet do të marrin pjesë të barabarta». Që nga ajo ditë, ky është rregull e zakon në Izrael deri më sot. Kur Davidi mbërriti në Ciklag, i dërgoi pleqësisë së Judës e miqve të vet një pjesë të presë e u tha: «Ja një dhuratë prej presë së armiqve të Zotit!». Ua dërgoi atyre që ishin në Betel, në Ramot të Negevit, në Jatir, në Aroer, në Sifmot, në Eshtemoa, në Rakal, në qytetet e Jerahmelit, në qytetet e Keniut, në Hormah, në Borashan, në Atak, në Hebron e në të gjitha vendet ku kishte shkuar Davidi me njerëzit e tij. Filistinët e sulmuan Izraelin. Izraelitët ikën prej filistinëve, por mbetën të vrarë në malin Gilboa. Filistinët e ndoqën këmba-këmbës Saulin me të bijtë dhe vranë Jonatanin, Abinadabin e Malkishuain, bijtë e Saulit. Beteja kundër Saulit u bë e ashpër. Harkëtarët e vunë në shënjestër e ai u plagos nga harkëtarët. Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: «Nxirre shpatën e më shporo, që të mos vijnë këta të parrethprerë, të më shpojnë e të tallen me mua». Por armëmbajtësi nuk pranoi, se pati shumë frikë, prandaj Sauli e mori vetë shpatën e u hodh mbi të. Kur armëmbajtësi pa se Sauli kishte vdekur, u hodh edhe ai mbi shpatë e vdiq. Atë ditë vdiqën Sauli, tre bijtë e tij, armëmbajtësi dhe tërë njerëzit e tij. Izraelitët, që ishin në anën tjetër të luginës e ata që ishin përtej Jordanit, panë se luftëtarët kishin ikur dhe se Sauli me bijtë e vet kishin vdekur, i braktisën qytetet e morën arratinë. Atëherë filistinët erdhën e u vendosën aty. Të nesërmen, kur filistinët erdhën të zhvatnin kufomat e të vrarëve, gjetën Saulin e tre bijtë e tij, që kishin rënë në malin Gilboa. Ia prenë kokën, ia hoqën armët dhe i dërguan në tokën e filistinëve, për t'u dhënë lajmin tempujve të idhujve dhe popullit përreth. Armët i vunë në tempullin e Ashtarotës, ndërsa kufomën ia varën në muret e Bet Sheanit. Banorët e Jabesh Gileadit dëgjuan ç'i kishin bërë filistinët Saulit. Të gjithë luftëtarët u ngritën e udhëtuan tërë natën. Morën kufomën e Saulit e kufomat e bijve të tij prej mureve të Bet Sheanit e i sollën në Jabesh. Aty i dogjën. Pastaj ua morën eshtrat, ua varrosën nën qarrin e Jabeshit e agjëruan shtatë ditë. Pas vdekjes së Saulit, Davidi mundi Amalekun dhe u kthye e ndenji dy ditë në Ciklag. Ditën e tretë erdhi një njeri prej aradheve të Saulit, me rroba të shqyera dhe kokën mbuluar me dhe. Kur mbërriti te Davidi, ra përdhe dhe e nderoi. Davidi e pyeti: «Nga po vjen?». Ai i tha: «U arratisa prej fushimit të Izraelit». Atëherë Davidi i tha: «Më trego çfarë ka ndodhur». Ai iu përgjigj: «Populli ia mbathi nga beteja dhe shumë mbetën të vrarë. U vra edhe Sauli me Jonatanin, birin e tij». Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: «Nga e di se janë vrarë Sauli dhe biri i tij, Jonatani?». Djaloshi, që solli lajmin, i tha: «Isha në malin Gilboa dhe Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kur iu afruan karrocat dhe kalorësit. Ai u kthye, më pa e më thirri. E unë i thashë: “Ja ku jam!”. Ai më pyeti: “Prej nga je?”. Unë i thashë: “Jam amalekit”. Pastaj ai më tha: “Sulu e më vrit, se jam në grahmat e fundit, por ende gjallë”. Unë iu sula dhe e vrava. E dija se nuk do të jetonte më për shkak të plagëve. Ia mora kurorën që kishte mbi krye dhe mbimëngëzën që kishte në krah dhe ia solla timzoti». Atëherë Davidi kapi rrobat e i shqeu. Kështu bënë edhe tërë burrat që ishin me të. Qanë, vajtuan e agjëruan gjer në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e Zotit dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë prej shpatës. Pastaj Davidi i tha djaloshit që kishte sjellë lajmin: «Prej nga je?». Ai i tha: «Jam i biri i një të ardhuri amalekit». Davidi vijoi: «Si nuk pate frikë, por ngrite dorë dhe e vrave të vajosurin e Zotit?». Davidi thirri një nga djelmoshat e i tha: «Shko e qëlloje!». Ai i ra dhe e vrau. Davidi tha: «Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, se vetë goja jote dëshmoi kundër teje, kur the se vrave të vajosurin e Zotit ». Atëherë Davidi lëshoi këtë vajtim për Saulin dhe birin e tij, Jonatanin, dhe urdhëroi ta mësonin bijtë e Judës. Kjo është Kënga e Harkut, shkruar në librin e të Drejtit: «Lavdia jote, o Izrael, ra theror në bjeshkë. Si ranë kështu trimat! Mos e tregoni në Gat, mos e shpallni rrugëve të Ashkelonit, se do të gëzohen bijat e filistinëve, do të ngazëllejnë bijat e të parrethprerëve. O malet e Gilboasë, mos rëntë mbi ju as vesë, as shi, mos paçi ara të begatshme. Se aty u ndy mburoja e trimave, mburoja e Saulit nuk u lye me vaj. Prej gjakut të therorisë e prej dhjamit të kreshnikëve harku i Jonatanit nuk u zmbraps, as kordha e Saulit nuk doli huq. Sauli e Jonatani ishin të dashur e të shtrenjtë, as jeta e as vdekja nuk i ndau. Më të shpejtë ishin se shqiponjat, më të fortë se luanët. O bijat e Izraelit, vajtojeni Saulin. Ai ju veshi me të kuqe të shkëlqyer, rrobat jua stolisi me ar. Si ranë trimat në mes të betejës? Jonatani ra theror në bjeshkë! U pikëllova për ty, o Jonatan, vëllai im. Sa i shtrenjtë ishe për mua! Dashuria jote për mua, më e mrekullueshme se dashuria e gruas. Si ranë kështu trimat e armët u shkatërruan!». Pas kësaj Davidi pyeti Zotin: «A të shkoj te ndonjë qytet i Judës?». Zoti i tha: «Shko!». Davidi e pyeti: «Në cilin qytet?». Ai i tha: «Në Hebron». Davidi shkoi atje bashkë me dy gratë e tij, Ahinoamën, izreliten, dhe Abigajlën, ish gruan e Nabal Karmelitit. Davidi mori me vete edhe njerëzit e tij, secilin me familjen e vet, dhe banuan në qytetin e Hebronit. Atëherë burrat e Judës erdhën dhe e vajosën Davidin mbret mbi shtëpinë e Judës. Kur e njoftuan Davidin se Saulin e kishin varrosur njerëzit e Jabesh Gileadit, ai dërgoi lajmëtarë te njerëzit e Jabesh Gileadit e u tha: « Zoti ju bekoftë, se u treguat besnikë ndaj Saulit, zotërisë tuaj, dhe e varrosët. Zoti qoftë i dashur dhe besnik me ju! Edhe unë do të tregohem i mirë me ju për çfarë bëtë. Tani merrni zemër e bëhuni të fortë, se Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më vajosi mua mbret të tyre». Ndërkohë Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, mori Ishboshetin, të birin e Saulit, e solli në Mahanaim dhe e vajosi mbret mbi Gileadin, Asherin, Izrelin, Efraimin, Benjaminin dhe mbi tërë Izraelin. Ishbosheti, biri i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të sundonte mbi Izrael. Ai mbretëroi dy vjet. Vetëm shtëpia e Judës ndiqte Davidin. Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës shtatë vjet e gjashtë muaj. Abneri, biri i Nerit, dhe shërbëtorët e Ishboshetit, birit të Saulit, dolën nga Mahanaimi për në Gibeon. Doli edhe Joabi, biri i Cerujahut, bashkë me shërbëtorët e Davidit, dhe u ndeshën te pellgu i Gibeonit. Njëra palë qëndroi në njërën anë të pellgut dhe tjetra matanë. Atëherë Abneri i tha Joabit: «Të çohen djelmoshat e të luftojnë para nesh». Joabi i tha: «Po, të çohen!». U çuan dymbëdhjetë djelmosha prej Benjaminit dhe Ishboshetit, birit të Saulit, dhe dymbëdhjetë prej shërbëtorëve të Davidit. Secili e kapi kundërshtarin prej koke dhe i nguli shpatën në ijë. Vdiqën të gjithë njëherësh, prandaj dhe ai vend në Gibeon quhet Helkat Hacurim. Pastaj filloi një betejë shumë e ashpër. Abneri dhe izraelitët u shpartalluan prej shërbëtorëve të Davidit. Aty ishin tre bijtë e Cerujahut, Joabi, Abishai dhe Asaheli. Asaheli ishte këmbëshpejtë si sorkadhja. Ai iu vërsul Abnerit dhe e ndoqi pa u shmangur as majtas, as djathtas. Abneri kthehu kokën e i tha: «Ti je, o Asahel?». Ai iu përgjigj: «Unë jam!». Abneri tha: «Kthehu majtas ose djathtas, kap ndonjë djalosh dhe plaçkite». Por Asaheli nuk donte të hiqte dorë. Atëherë Abneri i tha sërish: «Kthehu e mos më ndiq, se do të të hedh përtokë e pastaj nuk do ta shoh dot në sy vëllanë tënd, Joabin». Por ai nuk pranoi të kthehej. Atëherë Abneri e qëlloi në bark me bishtin e heshtës dhe ajo e shpoi tejpërtej. Asaheli ra e vdiq në atë vend. Kushdo që kalonte nga vendi ku vdiq Asaheli, ndalej. Joabi dhe Abishai e ndoqën Abnerin. Dielli po perëndonte kur ata arritën te kodra e Amahut, kundruall Giahut, udhës për në shkretëtirën e Gibeonit. Benjaminasit u mblodhën si çetë rreth Abnerit dhe zunë vend majë një kodre. Atëherë Abneri i thirri Joabit: «Përjetë do të hajë shpata? A s'e sheh se fundi është i hidhur? Deri kur do t'i urdhërosh njerëzit të përndjekin vëllezërit e vet?». Joabi iu përgjigj: «Pasha Perëndinë, po të mos kishe folur, vëllai do të kishte ndjekur vëllanë deri në të gdhirë». Atëherë Joabi i ra borisë dhe mbarë populli u ndal. Ata nuk e ndoqën Izraelin dhe nuk pati më luftë mes tyre. Abneri me njerëzit e tij udhëtuan tërë natën për në Arabah, kaluan Jordanin për në Bitron dhe mbërritën në Mahanaim. Joabi nuk e ndoqi më Abnerin. Kur u mblodh populli, panë se mungonin Asaheli dhe nëntëmbëdhjetë shërbëtorë të Davidit. Shërbëtorët e Davidit kishin vrarë treqind e gjashtëdhjetë benjaminas prej njerëzve të Abnerit. Asahelin e morën dhe e varrosën te varri i të atit në Betlehem. Joabi dhe njerëzit e tij udhëtuan tërë natën dhe në agim mbërritën në Hebron. Mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit u bë luftë e gjatë. Davidi forcohej e Sauli dobësohej. Davidit i lindën djem në Hebron. Amoni ishte i parëlinduri dhe Ahinoama, prej Izrelit, ishte nëna e tij. I dyti ishte Kilabi dhe nëna e tij ishte Abigajla, ish gruaja e Nabal Karmelitit. I treti ishte Absalomi, biri i Makës, të bijës së Talmait, mbretit të Geshurit. I katërti ishte Adonjahu, biri i Hagitës. I pesti ishte Shefatjahu, biri i Abitalës. I gjashti ishte Itreami dhe nëna e tij ishte Eglaja, gruaja e Davidit. Këta ishin bijtë që i lindën Davidit në Hebron. Gjatë luftës mes shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit, Abneri e forcoi pushtetin e vet në shtëpinë e Saulit. Sauli kishte një shemër, që quhej Ricpa, bija e Ajahut. Atëherë Ishbosheti i tha Abnerit: «Përse shkove me shemrën e atit tim?». Abneri u zemërua shumë me fjalët e Ishboshetit e i tha: «Mos jam gjë qen i Judës! Gjer më sot i kam ndenjur besnik Saulit, atit tënd, vëllezërve dhe miqve të tij. Unë nuk të dorëzova te Davidi e ti po më fajëson për një grua? Më zi ma bëftë Perëndia, nëse nuk e ndihmoj Davidin për të plotësuar çfarë i premtoi Zoti, për t'ia marrë mbretërinë shtëpisë së Saulit e për të forcuar fronin e Davidit mbi Izraelin e Judën, që nga Dani e deri në Bershebë». Ishbosheti pati frikë e nuk i ktheu dot përgjigje Abnerit. Atëherë Abneri i dërgoi lajmëtarë Davidit për t'i thënë: «Kujt i takon toka? Eja lidhim besën. Unë do të të përkrah dhe do ta kthej mbarë Izraelin te ti». Davidi i tha: «Mirë. Do ta lidhim besën, veçse me një kusht: mos më dil para syve pa më sjellë më parë Mikalën, bijën e Saulit». Davidi dërgoi lajmëtarë edhe tek Ishbosheti, biri i Saulit, e i tha: «Ma jep Mikalën, gruan time, që m'u premtua për njëqind lafsha filistinësh». Atëherë Ishbosheti dërgoi njerëz dhe ia morën Mikalën burrit të saj, Paltielit, birit të Laishit. Por ai e ndoqi pas duke qarë deri në Bahurim. Abneri i tha: «Ik e kthehu!». Ai u kthye. Abneri kishte folur me pleqësinë e Izraelit e u kishte thënë: «Prej kohësh e kërkoni për mbret Davidin. Bëjeni, pra! Zoti i ka thënë Davidit se nëpërmjet tij do ta çlirojë Izraelin, popullin e vet, nga filistinët dhe nga tërë armiqtë». Abneri i foli edhe Benjaminit. Pastaj shkoi edhe te Davidi, në Hebron, për t'i thënë se çdo gjë ishte gati me Izraelin dhe me shtëpinë e Benjaminit. Ai shkoi te Davidi në Hebron me njëzet burra dhe Davidi u shtroi një gosti. Pastaj Abneri i tha Davidit: «Më lër të shkoj e ta mbledh tërë Izraelin rreth timzoti, mbretit, që ta lidhin besën me ty e ti të sundosh mbi ç'të ta ketë ënda». Davidi e la dhe Abneri shkoi në paqe. Atëherë erdhën shërbëtorët e Davidit. Joabi ishte kthyer nga plaçkitja dhe kishte sjellë plaçkë të madhe. Por Abneri nuk ishte më me Davidin, në Hebron, sepse kishte shkuar në paqe. Kur mbërriti Joabi bashkë me ushtrinë, e njoftuan se te mbreti kishte ardhur Abneri, biri i Nerit, dhe se ai e kishte lënë të shkonte në paqe. Atëherë ai shkoi te mbreti e i tha: «Çfarë ke bërë? Abneri erdhi te ti dhe ti e le të shkonte? A nuk e di se Abneri, biri i Nerit, ka ardhur për të të mashtruar, për të parë nga hyn e nga del dhe gjithçka që bën?». Joabi u largua nga Davidi, dërgoi lajmëtarë te Abneri dhe ata e kthyen nga burimi i Sirahut. Davidi nuk dinte gjë. Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë te porta, për t'i folur vetëm. Aty e qëlloi në bark. Abneri vdiq, për shkak të gjakut të Asahelit, vëllait të Joabit. Kur e mori vesh, Davidi tha: «Unë dhe mbretëria ime jemi të pafajshëm para Zotit deri në amshim për gjakun e Abnerit, birit të Nerit. Gjaku i Abnerit rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë familjen e atit të tij. Mos iu ndaftë shtëpisë së tij rrjedhja e farës, lebra, puna e furkës, shpata shfarosëse dhe zia e bukës». Joabi dhe vëllai i tij Abishai e vranë Abnerin, sepse ai kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre, në betejën e Gibeonit. Atëherë Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: «Shqyeni petkat dhe vishuni me grathore për të vajtuar Abnerin». Vetë mbreti David ecte pas arkivolit. E varrosën në Hebron dhe Davidi ngriti zërin e vajtoi mbi varrin e Abnerit bashkë me tërë popullin. Mbreti e vajtoi e tha: «Siç vdes i marri vdiq Abneri? Duart nuk i kishe të lidhura, as këmbët në pranga, por re porsi ata që nga keqbërësit e pësojnë!». Tërë populli e vajtonte pareshtur. Pastaj tërë populli u përpoq ta bindte Davidin të hante diçka para se të ngrysej, por ai ishte betuar e kishte thënë: «Më zi ma bëftë Perëndia nëse ha bukë apo vë gjë në gojë para se të perëndojë dielli». Mbarë populli e vuri re këtë dhe i pëlqeu. Çdo gjë që bënte mbreti e pëlqente tërë populli. Kështu, mbarë populli e mbarë Izraeli e morën vesh atë ditë se Abnerin, birin e Nerit, nuk e kishte vrarë mbreti. Mbreti u tha shërbëtorëve të vet: «A nuk e dini se sot në Izrael u shua një prijës i madh? Unë jam ende i pafuqishëm edhe pse jam vajosur mbret, ndërsa këta burra, bijtë e Cerujahut, janë më të dhunshëm se unë. Zoti e shpërbleftë keqbërësin sipas ligësisë së tij!». Kur biri i Saulit e mori vesh se Abneri kishte vdekur në Hebron, ai u ligështua dhe tërë Izraeli u tmerrua. Biri i Saulit kishte dy prijës çetash. Njëri quhej Banah dhe tjetri Rekab. Ata ishin bijtë e Rimon Berotitit, prej Benjaminit, sepse edhe Beroti mbahej si pjesë e Benjaminit. Berotitët kishin ikur në Gitaim dhe kishin qëndruar aty si të ardhur gjer më sot. Jonatani, biri i Saulit, kishte një djalë të çalë. Ai kishte qenë pesë vjeç kur kishte ardhur lajmi prej Izrelit për Saulin dhe Jonatanin. Mëndesha e kishte marrë dhe ia kishte mbathur. Teksa nxitonte për të ikur, djali i kishte rënë përtokë dhe kishte mbetur i çalë. Ai quhej Mefiboshet. Bijtë e Rimon Berotitit, Rekabi dhe Banahu, mbërritën te shtëpia e Ishboshetit, kur ai po pushonte në zheg. Ata hynë brenda në shtëpi gjoja për të marrë elb dhe e qëlluan në bark. Pastaj Rekabi dhe Banahu ia mbathën. Ata kishin hyrë në shtëpi kur ai kishte qenë shtrirë në dhomën e tij. E kishin vrarë dhe ia kishin prerë kokën. Pastaj e kishin marrë me vete dhe kishin udhëtuar tërë natën rrugës për në Arabah. Ia sollën kryet Davidit në Hebron e i thanë: «Ja, kryet e Ishboshetit, birit të Saulit, armikut tënd, që kërkonte të të merrte jetën. Sot, Zoti ia mori hakun zotërisë tonë kundër Saulit dhe pasardhësve të tij». Por Davidi iu përgjigj Rekabit e Banahut, vëllait të tij, bijve të Rimon Berotitit: «Pasha Zotin, që e ka shpëtuar jetën time nga çdo rrezik, nëse e kapa dhe e vrava në Ciklag, si shpërblim për lajmin e mirë, atë që më dha lajmin e vrasjes së Saulit, aq më tepër do t'i dënoj keqbërësit që kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e në shtratin e vet! Gjakun e tij do ta kërkoj prej duarve tuaja e do t'ju zhbij prej faqes së dheut». Davidi urdhëroi djelmoshat dhe ata i vranë, ua prenë duart e këmbët dhe i varën pranë pellgut të Hebronit. Pastaj morën kokën e Ishboshetit dhe e varrosën te varri i Abnerit në Hebron. Të gjitha fiset e Izraelit shkuan te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote dhe mishi yt. Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret mbi ne, ti i prije Izraelit. Zoti të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i Izraelit”». Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David bëri besëlidhje me ta në Hebron, para Zotit. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi dyzet vjet. Ai mbretëroi në Hebron, mbi Judën, për shtatë vjet dhe në Jerusalem, mbi mbarë Izraelin dhe Judën, për tridhjetë e tri vjet. Mbreti shkoi me njerëzit e tij në Jerusalem të sulmonte jebusitët, banorët e vendit. Ata i thanë: «Nuk ke për të hyrë, se edhe të verbrit e të çalët do të të zmbrapsin!». Ata mendonin se Davidi nuk mund të hynte dot. Por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit që u quajt Qyteti i Davidit. Atë ditë Davidi tha: «Kush sulmon jebusitët të dalë te hullia e kroit e të godasë të çalë e të verbër që Davidi i urren me shpirt». Prandaj thuhet: «I verbri dhe i çali nuk do të hyjnë në tempull». Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj u quajt Qyteti i Davidit. Ai e rindërtoi qytetin përreth, nga Miloja e më tej përbrenda. Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Perëndia i ushtrive ishte me të. Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, marangozë e muratorë. Dhe ata ndërtuan një shtëpi për Davidin. Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte caktuar mbret të Izraelit dhe se mbretëria e tij ishte lartësuar për hir të popullit të tij, Izraelit. Davidi mori të tjera gra e shemra në Jerusalem, pas kthimit nga Hebroni, dhe lindi bij e bija të tjera. Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani, Solomoni, Ibhari, Elishuai, Nefegu, Jafiai, Elishamai, Eliadai dhe Elifeleti. Kur filistinët e morën vesh se Davidi ishte vajosur mbret mbi Izrael, të gjithë shkuan për ta kërkuar. Davidi e mori vesh e shkoi në fortesë. Filistinët mbërritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit. Davidi u këshillua me Zotin e tha: «A të dal kundër filistinëve? A do të m'i lësh në dorë?». Zoti iu përgjigj Davidit: «Dil, e do të t'i lë në dorë». Davidi u ngjit në Baal Peracim dhe i mundi aty. Atëherë Davidi tha: « Zoti i çau armiqtë e mi siç çahet uji». Prandaj ai vend quhet Baal Peracim. Filistinët i lanë aty idhujt e tyre dhe ato i morën Davidi dhe njerëzit e tij. Filistinët sulmuan edhe një herë dhe u përhapën në luginën e Refaimit. Davidi u këshillua sërish me Zotin dhe ai i tha: «Sillu rrotull e dilu para nga Bekaimi. Kur të dëgjosh zhurmën e rreshtores, në majë të Bekaimit, hidhu në sulm, sepse Zoti ka dalë para teje për ta goditur fushimin e filistinëve». Davidi bëri siç e urdhëroi Zoti dhe i shpartalloi filistinët nga Geba gjer sa del në Gezer. Davidi i mblodhi sërish të gjithë të përzgjedhurit e Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë vetë, dhe shkoi bashkë me tërë popullin që ishte me të në Baalah të Judës, për të sjellë që andej arkën e Perëndisë që mbante emrin e Zotit të ushtrive, i cili rri mbi kerubë. Arkën e Perëndisë e mbartën me një karrocë të re. E sollën nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Karrocën e re e ngisnin Uzai dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, dhe e sollën bashkë me arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Ahioi i printe arkës. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit ngazëlleheshin fort para Zotit, me këngë, qeste, harpa, dajre, zilka dhe cimbale. Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën e Perëndisë, sepse qetë gati u penguan, mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i Zotit dhe e goditi atje, sepse tregoi guxim të tepruar, prandaj dhe vdiq në vend, pranë arkës së Perëndisë. Davidi u mërzit që Zoti e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah siç quhet edhe sot e kësaj dite. Atë ditë Davidi pati frikë nga Zoti e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e Zotit?». Prandaj Davidi nuk deshi ta merrte me vete arkën e Zotit në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Arka e Zotit ndenji tre muaj në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Zoti e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka në të. Mbretin David e lajmëruan e i thanë: « Zoti e ka bekuar shtëpinë e Obed Edomit me gjithë ç'ka, për hir të arkës së Perëndisë». Atëherë Davidi shkoi dhe e solli me gëzim arkën e Perëndisë nga shtëpia e Obed Edomit te Qyteti i Davidit. Pasi ata që mbartnin arkën e Zotit bënë gjashtë hapa, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. Davidi vallëzonte me gjithë shpirt para Zotit. Ai kishte veshur një efod të linjtë. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit e sollën arkën e Zotit me brohoritje dhe me tingujt e bririt. Kur arka e Zotit mbërriti në Qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e vallëzuar para Zotit dhe e përçmoi në zemrën e vet. Arkën e Zotit e sollën dhe e vendosën në vendin e vet, në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj Davidi kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi para Zotit. Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit dhe të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive dhe i shpërndau gjithë popullit, të gjithë turmave të Izraelit, burra e gra, nga një copë bukë, nga një kulaç hurmash dhe nga një kulaç rrushi të thatë. Pastaj i gjithë populli u kthye në shtëpinë e vet. Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet, Mikala, bija e Saulit, i doli para e i tha: «Çfarë nderi ishte ky sot për mbretin e Izraelit që u zhvesh para syve të shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tij, si të ishte një njeri i rëndomtë?». Davidi i tha Mikalës: «E bëra para Zotit që më zgjodhi në vend të atit tënd dhe shtëpisë tënde për të më vënë prijës mbi popullin e Zotit, Izraelin. Po, para Zotit do të lodroj! Do ta përçmoj dhe poshtëroj veten edhe më shumë, por shërbëtoret, për të cilat fole, do të më nderojnë». Mikala, bija e Saulit, vdiq pa lënë fëmijë. Kur Davidi u vendos në shtëpinë e tij dhe Zoti i dha paqe nga tërë armiqtë, që e rrethonin, mbreti i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej cedri, ndërsa arka e Perëndisë banon në një tendë pëlhurash». Natani iu përgjigj mbretit: «Bëj ç'të kesh në zemër, se Zoti është me ty». Po atë natë Natanit iu drejtua fjala e Zotit e i tha: «Shko e thuaji Davidit, shërbëtorit tim, kështu thotë Zoti: “Pse, ti do të ma ndërtosh shtëpinë ku do të banoj? Unë nuk kam banuar në një shtëpi që kur i solla izraelitët nga Egjipti e deri në këtë ditë. Jam endur nëpër tenda e banesa. Gjatë gjithë endjeve të mia me mbarë Izraelin, a mos i kam thënë ndonjë fjalë ndonjërit prej prijësve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të kullotnin popullin tim, Izraelin, e u kisha thënë: përse nuk më keni ndërtuar një shtëpi prej cedri? Mirëpo tani, kështu do t'i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë Zoti i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit. Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës. Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më si dikur, kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do të jap prehje nga të gjithë armiqtë e tu. Zoti po të kumton se vetë Zoti do të të ndërtojë ty një shtëpi. Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin pas teje, i cili rrjedh prej teje dhe do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij. Ai do t'i ndërtojë një shtëpi emrit tim, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij. Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. E në bëftë ndonjë prapësi, do ta qortoj me thupër e me plagë, siç bëjnë prindërit. Por nuk do t'ia mohoj dashurinë, siç ia mohova Saulit që e hoqa para teje. Do ta bëj të qëndrueshme përgjithmonë shtëpinë tënde dhe mbretërinë tënde dhe froni yt do të mbetet në amshim”». Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe të gjithë këtë vegim. Atëherë Davidi hyri brenda, u ul para Zotit dhe tha: «Kush jam unë, o Zot, Zoti im, dhe çfarë është shtëpia ime që më solle deri këtu? E kjo ishte veç një gjë e vogël në sytë e tu, o Zot, Zoti im. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Vallë kështu sillesh me njerëzit e tjerë, o Zot, Zoti im? Çfarë mund të thotë më shumë për ty Davidi? O Zot, Zoti im, ti e njeh mirë shërbëtorin tënd. Ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha dhe ia shfaqe shërbëtorit tënd për hir të fjalës sate dhe sipas zemrës sate. Ti je i madh, o Zot, Zoti im. Nuk ka si ti dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët. Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti bëre emër për vete, vepra të mëdha e të mahnitshme për tokën tënde para popullit tënd që e shpengove nga Egjipti, nga kombet dhe idhujt e tyre. E caktove popullin tënd, Izraelin, të jetë përherë populli yt dhe ti, o Zot, u bëre Perëndia i tyre. Tani, o Zot Perëndi, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole. Emri yt u madhëroftë përgjithmonë kështu: “ Zoti i ushtrive është Perëndia i Izraelit” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje, sepse ti, o Zot i ushtrive, Perëndia i Izraelit, i dëftove shërbëtorit tënd se do t'i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt mori zemër të bënte këtë lutje para teje. Tani, o Zot, Zoti im, ti je Perëndi dhe fjalët e tua janë të vërteta. Ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd. Tani, denjo ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti o Zot, Zoti im, ke folur. Qoftë përherë e bekuar me bekimet e tua shtëpia e shërbëtorit tënd!». Pas kësaj Davidi i mundi filistinët, i nënshtroi dhe mori Meteg Amahun prej tyre. Ai mundi edhe moabitët. I shtriu përtokë dhe i ndau në rreshta. Dy rreshta i vrau dhe një rresht e fali. Moabitët iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbretin e Cobahut, kur ai po shkonte për t'i ngritur një përmendore vetes pranë lumit Eufrat dhe i mori një mijë e shtatëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi u theu kërcinjtë të gjithë kuajve, përveç atyre që iu deshën për njëqind karroca. Arameasit e Damaskut i erdhën në ndihmë Hadadezerit, mbretit të Cobahut, por Davidi vrau njëzet e dy mijë arameas. Pastaj Davidi vendosi disa njësi në Aram të Damaskut. Arameasit iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte. Davidi mori parzmoret e arta të shërbëtorëve të Hadadezerit dhe i çoi në Jerusalem. Edhe nga Betahu e nga Berotai, qytete të Hadadezerit, mori një sasi të madhe bronzi. Kur Toiu, mbreti i Hamatit, dëgjoi se Davidi e kishte mundur tërë ushtrinë e Hadadezerit, dërgoi te mbreti David birin e tij, Joramin, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte shpallur luftë Hadadezerit dhe e kishte mundur. Hadadezeri ishte në luftë me Toiun. Ai i dërgoi edhe enë argjendi, ari e bronzi. Mbreti David ia kushtoi Zotit edhe ato, bashkë me argjendin e arin që kishte kushtuar prej të gjitha kombeve që kishte nënshtruar, prej arameasve, moabitëve, amonitëve, filistinëve, amalekitëve dhe prej plaçkës së Hadadezerit, birit të Rehobit, mbretit të Cobahut. Davidi bëri emër kur u kthye, sepse shpartalloi tetëmbëdhjetë mijë edomitë në luginën e Kripës. Ai vendosi njësi në mbarë Edomin. Të gjithë edomitët iu nënshtruan Davidit. Zoti e shpëtonte Davidin ngado shkonte. Davidi mbretëroi mbi mbarë Izraelin dhe veproi drejt e me drejtësi me mbarë popullin e vet. Joabi, biri i Cerujahut, ishte në krye të ushtrisë. Joshafati, biri i Ahiludit, ishte shkresari. Cadoku, biri i Ahitubit, dhe Ahimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj, ndërsa Serajahu ishte shkruesi. Benajahu, biri i Jehojadait, ishte kreu i keretitëve dhe peletitëve, ndërsa të bijtë e Davidit ishin priftërinj. Davidi tha: «A ka mbetur njeri prej shtëpisë së Saulit, që të tregohem i mirë me të për hir të Jonatanit?». Shtëpia e Saulit kishte një shërbëtor që quhej Ciba. Atë e thirrën te Davidi dhe ai e pyeti: «A je ti Cibai?». Ai iu përgjigj: «Unë jam, shërbëtori yt!». Mbreti i tha: «A ka mbetur njeri prej shtëpisë së Saulit, që t'i tregoj mirësinë e Perëndisë». Cibai i tha mbretit: «Ka mbetur biri i Jonatanit, i çali». Mbreti e pyeti: «E ku është?». Cibai i tha mbretit: «Ja, në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar». Atëherë mbreti David dërgoi njerëz për ta marrë prej shtëpisë së Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar. Mefibosheti, biri i Jonatanit, të birit të Saulit, erdhi te Davidi dhe ra përdhe për ta nderuar. Davidi i tha: «Mefiboshet!». Ai iu përgjigj: «Ja shërbëtori yt!». Davidi i tha: «Mos ki frikë, se do të tregohem i mirë me ty për hir të atit tënd, Jonatanit. Do të t'i kthej të gjitha tokat e Saulit, atit tënd, dhe ti do të hash përherë në tryezën time». Ai u përkul me nderim e i tha: «Çfarë është shërbëtori yt, që t'i hedhësh sytë një qeni të ngordhur si ai?». Pastaj mbreti thirri Cibain, djaloshin që i shërbente Saulit, e i tha: «Gjithçka i përkiste Saulit dhe shtëpisë së tij do t'ia jap shtëpisë së zotërisë tënd. Ti, bijtë e shërbëtorët e tu do të punoni tokën e tij, që bijtë e zotërisë tënd të kenë bukë për të ngrënë, ndërsa Mefibosheti do të hajë përherë në tryezën time». Cibai kishte pesëmbëdhjetë djem dhe njëzet shërbëtorë. Cibai i tha mbretit: «Shërbëtori yt do të kryejë gjithçka urdhëroi imzot, mbreti». Kështu, Mefibosheti hëngri në tryezën e Davidit sikur të ishte njëri prej bijve të mbretit. Mefibosheti kishte një djalë të vogël që quhej Mika. Të gjithë anëtarët e familjes së Cibait i shërbyen Mefiboshetit. Mefibosheti banoi në Jerusalem, sepse hante përherë në tryezën e mbretit. Ai ishte i çalë nga të dyja këmbët. Pas këtyre ngjarjeve mbreti i amonitëve vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Hanuni, i biri. Davidi tha: «Do të tregohem i mirë me Hanunin, birin e Nahashit, siç u tregua i mirë me mua i ati». Davidi dërgoi disa shërbëtorë për ta ngushëlluar për të atin. Shërbëtorët e Davidit shkuan në dheun e amonitëve. Atëherë prijësit e amonitëve i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: «Mos vallë Davidi t'i dërgoi ngushëlluesit për të nderuar atin tënd? Apo shërbëtorët e Davidit kanë ardhur te ti për të hetuar qytetin, për ta vëzhguar e për ta përmbysur?». Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, ua rruajti njërën faqe të mjekrës, ua shqeu rrobat më dysh deri te vithet dhe i ktheu nga kishin ardhur. Kur i treguan Davidit, ai dërgoi njerëz për t'i takuar, sepse ndiheshin shumë të poshtëruar. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko derisa t'ju dalë mjekra, pastaj kthehuni». Kur amonitët e panë se ishin bërë të urryer për Davidin, paguan njëzet mijë këmbësorë arameas prej Bet Rehobit dhe prej Cobait, për mbretin e Makahut me një mijë burra dhe për dymbëdhjetë mijë burra prej Tobit. Kur e mori vesh, Davidi dërgoi Joabin dhe mbarë ushtrinë e trimave. Amonitët dolën dhe u rreshtuan për betejë në të hyrë të portave, ndërsa arameasit prej Cobait e prej Rehobit dhe burrat e Tobit e Makahut qëndruan veçmas në fushë. Joabi e vuri re se ishte i rrethuar nga para dhe nga pas, prandaj zgjodhi disa prej burrave më të spikatur në Izrael dhe i rreshtoi kundër arameasve. Pjesën tjetër të ushtrisë ia la Abishait, vëllait të vet. Këta u rreshtuan kundër amonitëve. Pastaj tha: «Nëse arameasit janë më të fortë se unë, ti do të vish për të më shpëtuar, por, nëse amonitët janë më të fortë se ti, do të vij unë për të të shpëtuar. Bëhu i fortë! Të tregohemi të fortë për popullin tonë e për qytetet e Perëndisë tonë. Zoti e bëftë si t'i duket mirë!». Atëherë Joabi, dhe populli që ishte me të, iu turr në betejë arameasve, të cilët ua mbathën këmbëve. Kur amonitët panë se arameasit kishin ikur, ia mbathën edhe ata prej Abishait dhe u kthyen në qytet. Joabi u kthye prej amonitëve dhe shkoi në Jerusalem. Kur arameasit panë se humbën përballë Izraelit, u mblodhën bashkë. Hadadezeri dërgoi njerëz për të thirrur arameasit që ishin përtej Eufratit. Ata erdhën në Helam. U printe Shobahu, kreu i ushtrisë së Hadadezerit. Kur i treguan Davidit, ai mblodhi mbarë Izraelin, kapërceu Jordanin dhe mbërriti në Helam. Ata u rreshtuan kundër Davidit dhe u ndeshën me të. Por arameasit morën arratinë përballë Izraelit. Davidi vrau shtatëqind kalorës karrocash dhe dyzet mijë kalorës. Vrau edhe Shobahun, kreun e ushtrisë, i cili ra dhe vdiq në vend. Kur tërë mbretërit që i shërbenin Hadadezerit panë se po humbnin kundër Izraelit, bënë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan. Arameasit patën frikë t'i ndihmonin amonitët. Në ndërrimin e viteve, në kohën kur mbretërit dalin në luftë, Davidi dërgoi Joabin, shërbëtorët që ishin me të e mbarë Izraelin, për të shfarosur amonitët. Ata rrethuan Rabahun, ndërsa Davidi qëndroi në Jerusalem. Një mbrëmje Davidi u ngrit nga shtrati dhe filloi të shëtiste në tarracën e shtëpisë së mbretit. Nga tarraca pa një grua që po lahej. Ajo ishte shumë e bukur. Davidi dërgoi njerëz të pyesnin për atë grua dhe i thanë: «Kjo është Batsheba, bija e Eliamit, gruaja e Urjah Hititit». Atëherë Davidi dërgoi disa lajmëtarë për ta sjellë tek ai dhe fjeti me të. Ajo sapo kishte kryer ritin e pastrimit nga të përmuajshmet. Pastaj ajo u kthye në shtëpinë e vet. Gruaja mbeti shtatzënë dhe i dërgoi lajm Davidit e i tha: «Jam shtatzënë!». Davidi i çoi fjalë Joabit e i tha: «Ma dërgo Urjah Hititin». Joabi e dërgoi Urjahun te Davidi. Kur Urjahu mbërriti tek Davidi, ai e pyeti për Joabin, ushtrinë dhe ecurinë e luftës. Pastaj i tha: «Shko në shtëpi e laj këmbët». Urjahu doli prej shtëpisë së mbretit dhe mbreti i dërgoi një dhuratë. Urjahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit, bashkë me shërbëtorët e zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi. Kur e lajmëruan Davidin se Urjahu nuk kishte shkuar në shtëpinë e vet ai i tha: «Sapo ke ardhur nga udha, përse nuk shkon në shtëpi?». Urjahu iu përgjigj: «Kur arka, Izraeli e Juda banojnë në kasolle dhe Joabi e shërbëtorët e zotërisë tim fushojnë në fushë të hapur, si të shkoj për të ngrënë, për të pirë e për t'u shtrirë me time shoqe? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, nuk do ta bëj një gjë të tillë». Atëherë Davidi i tha: «Rri këtu edhe sot. Nesër do të të nis». Urjahu qëndroi në Jerusalem atë ditë dhe të nesërmen. Davidi e ftoi që të hante në prani të tij. I dha të pinte dhe e dehu. Në mbrëmje ai doli e u shtri në shtrat mes shërbëtorëve të zotërisë së vet, por në shtëpi nuk shkoi. Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Urjahut. Në letër shkroi: «Vëreni Urjahun në vijën e parë, aty ku beteja është e ashpër. Pastaj tërhiquni prej tij, që ta qëllojnë e ta vrasin». Kështu, kur Joabi rrethoi qytetin e vuri Urjahun te vendi ku e dinte se kishte luftëtarë të fortë. Burrat e qytetit dolën për t'u ndeshur me Joabin dhe aty ranë disa nga shërbëtorët e Davidit. Atje vdiq edhe Urjah Hititi. Atëherë Joabi i çoi lajm e i tregoi Davidit gjithçka që ndodhi në betejë. Joabi e porositi lajmëtarin e i tha: «Pasi t'i kesh treguar mbretit gjithçka për betejën dhe ai zemërohet e pyet: “Përse sulmuat pranë qytetit? A nuk e dinit se do t'ju qëllonin nga muret? Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerubeshetit? A nuk e qëlloi një grua nga muri me gurin e mokrës dhe ai mbeti i vdekur në Tebec? Përse iu afruat murit?”, ti do t'i thuash: “Vdiq edhe shërbëtori yt Urjah Hititi”». Lajmëtari shkoi dhe i tregoi Davidit gjithçka siç e kishte porositur Joabi. Lajmëtari i tha Davidit: «Armiqtë patën epërsi e na dolën në fushë të hapur, por ne iu kundërvumë deri në të hyrë të portave. Shigjetarët i qëlluan nga muret shërbëtorët e tu dhe disa prej shërbëtorëve të mbretit vdiqën. Vdiq edhe shërbëtori yt Urjah Hititi». Davidi i tha lajmëtarit: «Kështu thuaji Joabit: “Mos u shqetëso për këtë, se kështu e ka shpata që përpin sa andej-këtej. Vërsulju qytetit dhe rrafshoje”». Kur gruaja e Urjahut dëgjoi se i shoqi kishte vdekur, e vajtoi. Pasi kaloi koha e zisë, Davidi dërgoi njerëz për ta sjellë në shtëpinë e tij. E mori për grua dhe ajo i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi ishte keq në sytë e Zotit. Zoti dërgoi Natanin te Davidi. Ai shkoi te Davidi e i tha: «Na ishin njëherë dy veta që jetonin në një qytet. Njëri ishte i pasur e tjetri i varfër. I pasuri kishte shumë dhen e qe, ndërsa i varfri s'kishte asgjë, përveç një qengji të vogël që e kishte blerë. E ushqeu dhe e rriti bashkë me fëmijët e vet. I jepte të hante prej bukës së vet e të pinte prej gotës së vet. E mbante në krah dhe e kishte si fëmijë. Një herë, te pasaniku erdhi një shtegtar. Ai nuk i shtroi të hante as delen e as lopën e vet, por mori qengjin e të varfrit dhe e gatoi për bujtësin». Davidi u zemërua fort e i tha Natanit: «Pasha Zotin, ky njeri duhet vrarë për këtë që bëri! Për çfarë bëri dhe meqë u tregua i pashpirt, katërfish do ta paguajë qengjin». Natani i tha Davidit: «Ky njeri je ti! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: unë të vajosa mbret mbi Izraelin, të shpëtova nga dora e Saulit, të dhashë shtëpinë dhe gratë e zotërisë tënd, të dhashë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës. Po të mos mjaftonin këto do të të kisha dhënë edhe më shumë. Pse e përçmove fjalën e Zotit dhe bërë keq në sytë e tij? E godite me shpatë Urjah Hititin dhe të shoqen ia more për grua. Ti e vrave me shpatën e amonitëve. Prandaj kurrë nuk do të hiqet shpata prej shtëpisë sate, se më përçmove dhe more për grua gruan e Urjah Hititit. Kështu thotë Zoti: ja, do të të zërë e keqja e shtëpisë sate. Do të t'i marr gratë para syve, do t'ia jap të afërtit tënd e ai do të shkojë me to ditën për diell. Ti veprove fshehurazi, ndërsa unë do ta bëj të gjithë këtë ditën për diell e para gjithë Izraelit». Atëherë Davidi i tha Natanit: «Kam mëkatuar kundër Zotit ». Natani i tha Davidit: « Zoti ta ka falur mëkatin, prandaj nuk do të vdesësh, por ngaqë me këtë i nxite armiqtë e Zotit, djali që ka për të lindur do të vdesë». Pastaj Natani u kthye në shtëpinë e vet. Zoti e goditi djalin, që gruaja e Urjahut i lindi Davidit, dhe ai u sëmur. Davidi iu përgjërua Perëndisë për djalin. Agjëroi dhe netët i kaloi shtrirë përdhe. Pleqtë e shtëpisë i qëndronin pranë dhe i kërkonin të ngrihej nga toka, por ai nuk pranoi dhe nuk hëngri me ta. Pas shtatë ditësh fëmija vdiq. Shërbëtorët e Davidit kishin frikë t'i tregonin se fëmija kishte vdekur dhe thoshin: «Kur fëmija ishte ende gjallë, i folëm e nuk na dëgjoi. Si t'i themi që fëmija ka vdekur? Ai do të bëjë edhe më keq». Davidi pa që shërbëtorët po pëshpëritnin me njëri-tjetrin dhe e kuptoi që fëmija kishte vdekur. Atëherë u tha shërbëtorëve: «A vdiq fëmija?». Ata i thanë: «Vdiq!». Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u lye me vaj dhe ndërroi petkat. Shkoi në shtëpinë e Zotit dhe u përkul me nderim. U kthye në shtëpi, kërkoi t'i shtronin për të ngrënë dhe hëngri. Shërbëtorët e pyetën: «Pse vepron kështu? Kur fëmija ishte ende gjallë, agjërove e vajtove. Tani që ka vdekur, ngrihesh e ha?». Ai u tha: «Për aq kohë sa ishte gjallë agjërova e vajtova se thashë: “Kush e di! Ndoshta Zoti do të ketë mëshirë për mua dhe do ta lërë djalin të jetojë”. Por tani që ka vdekur, përse të agjëroj? A mund ta kthej mbrapsht? Unë do të shkoj tek ai, e jo ai tek unë». Davidi e ngushëlloi Batshebën, gruan e vet. Fjeti me të dhe ajo i lindi një djalë që e quajti Solomon. Zoti e deshi dhe dërgoi fjalë përmes profetit Natan, që ta quanin Jedidjah, për hir të Zotit. Ndërkohë Joabi sulmoi Rabahun e amonitëve dhe pushtoi qytetin mbretëror. Atëherë Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit e i tha: «Sulmova Rabahun dhe pushtova qytetin e ujërave. Mblidh popullin që ka mbetur dhe eja e sulmo qytetin, që ta pushtosh, përndryshe do ta pushtoj unë dhe do t'i vë emrin tim». Davidi mblodhi mbarë popullin dhe shkoi në Rabah. E sulmoi dhe e pushtoi. Ia hoqi kurorën nga koka mbretit të tyre. Ajo peshonte më shumë se tridhjetë kilogramë ar dhe kishte një gur të çmuar. Kurorën ia vunë në kokë Davidit. Ai mori nga ai qytet plaçkë shumë të madhe. Popullin që banonte aty e dëboi dhe e vuri të punonte me sharra, kazma e sëpata hekuri, që të bënte tulla. Davidi veproi njësoj me të gjitha qytetet e amonitëve. Pastaj u kthye në Jerusalem me mbarë popullin. Absalomi, biri i Davidit, kishte një motër të bukur që quhej Tamara. Pas njëfarë kohe, Amnoni, biri i Davidit, ra në dashuri me Tamarën. E mundonin aq shumë ndjenjat për Tamarën, saqë u sëmur. Tamara ishte e virgjër, prandaj Amnonit i dukej e pamundur t'i bënte gjë. Amnoni kishte një shok që quhej Jonadab. Ai ishte biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. Jonadabi ishte shumë dinak. Ai i tha Amnonit: «Pse po dobësohesh dita-ditës, o biri i mbretit? Përse nuk më tregon?». Amnoni iu përgjigj: «Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e Absalomit, vëllait tim». Jehonadabi i tha: «Shtrihu në shtrat dhe hiqu si i sëmurë. Kur të vijë yt atë për të të parë, thuaji: “Le të vijë ime motër, Tamara, të më japë të ha. Ta përgatitë ushqimin para syve të mi, që ta shoh e të ha prej dorës së saj”». Amnoni zuri shtratin dhe u hoq si i sëmurë. Kur erdhi mbreti për ta parë, Amnoni i tha: «Le të vijë ime motër, Tamara, të lutem, e të bëjë dy kuleç para syve të mi, që t'i ha nga dora e saj». Davidi i çoi fjalë Tamarës në shtëpi e i tha: «Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnonit dhe bëji të hajë». Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të vet, Amnonit, që ishte shtrirë në shtrat. Ajo mori miell, ngjeshi brumin, bëri kuleçtë para syve të tij dhe i poqi. Pastaj mori tiganin dhe i zbrazi kuleçtë para tij, por Amnoni nuk donte të hante. Ai urdhëroi të dilnin jashtë të gjithë dhe ata dolën. Amnoni i tha Tamarës: «Ma sill ushqimin në dhomë, që të ha nga dora jote». Tamara i mori kuleçtë që kishte gatuar dhe ia solli në dhomë Amnonit, të vëllait. Kur i solli ushqimin, Amnoni e kapi e i tha: «Eja, shtrihu me mua, motra ime». Tamara iu përgjigj: «Mos, o vëlla, mos më çndero. Kjo nuk bëhet në Izrael. Mos e bëj këtë poshtërsi. Ku ta çoj unë turpin? Por edhe ti do të jesh njeri i poshtër në Izrael. Fol me mbretin dhe ai ka për të më dhënë te ti». Por ai s'deshi ta dëgjonte. E kapi dhe ra në shtrat me të, sepse ishte më i fortë. Atëherë e pushtoi një urrejtje e madhe për të dhe urrejtja që ndjeu ishte shumë më e madhe se dashuria që kishte ndier më parë. Prandaj Amnoni i tha: «Ngrihu e ik». Ajo i tha: «Mos e bëj këtë të keqe më të madhe se ajo që bëre me mua e mos më dëbo». Por ai s'deshi ta dëgjonte. Thirri një nga shërbëtorët, që i shërbente, e i tha: «Nxirre jashtë këtë grua dhe mbyll derën pas saj». Tamara kishte veshur një rrobë të gjatë me mëngë, sepse kështu visheshin bijat virgjëresha të mbretit. Shërbëtori e nxori jashtë Tamarën dhe mbylli derën pas saj. Atëherë Tamara mori hi dhe e hodhi mbi kokë, shqeu mëngët, vuri duart në kokë dhe iku duke bërtitur. Absalomi, i vëllai, e pyeti: «A mos ra në shtrat me ty Amnoni, yt vëlla? Tani për tani, hesht, o motra ime, dhe mos të të shqetësohet zemra për këtë punë». Tamara ndenji e pikëlluar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. Kur i mori vesh këto ngjarje, mbreti David u zemërua shumë. Absalomi nuk i tha asnjë fjalë Amnonit, as për mirë, as për keq, por e urrente, sepse i kishte çnderuar të motrën, Tamarën. Dy vjet më vonë, kur i kishte qethësit e deleve në Baal Hacor, pranë Efraimit, Absalomi ftoi të gjithë bijtë e mbretit. Ai shkoi te mbreti e i tha: «Qethësit e deleve kanë ardhur te shërbëtori yt. I lutem edhe mbretit të urdhërojë në shtëpinë e shërbëtorit të tij, bashkë me shërbëtorët e vet». Mbreti iu përgjigj Absalomit: «Jo, biri im, mos na detyro të gjithëve të vijmë e të të bëhemi barrë». Absalomi nguli këmbë, por mbreti nuk deshi të shkonte, megjithatë e bekoi. Absalomi i tha: «Nëse jo, atëherë le të vijë me ne Amnoni, vëllai im». Mbreti e pyeti: «Përse të vijë me ty?». Absalomi iu përgjërua, prandaj mbreti i la të shkonin Amnonin dhe të gjithë bijtë e mbretit. Atëherë Absalomi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij: «Kur ta shihni Amnonin të dehur me verë e unë t'ju jap urdhrin për ta goditur, vriteni e mos kini frikë, sepse urdhrin jua kam dhënë unë. Jini të fortë e bëhuni trima». Shërbëtorët e Absalomit vepruan me Amnonin siç i kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë të gjithë bijtë e mbretit u hipën mushkave dhe ikën. Teksa ishin ende udhës, Davidit i erdhi ky lajm: «Absalomi i vrau të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjë prej tyre». Atëherë mbreti u ngrit, shqeu rrobat dhe u shtri përtokë. Edhe të gjithë shërbëtorët që e rrethonin i shqyen rrobat. Jonadabi, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit, tha: «Të mos mendojë imzot se janë vrarë të gjithë bijtë e rinj të mbretit. Është vrarë vetëm Amnoni. Absalomi e kishte vendosur ta vriste që ditën kur Amnoni çnderoi Tamarën, motrën e tij. Prandaj, imzot të mos e marrë përnjëmend lajmin se janë vrarë të gjithë bijtë e mbretit, sepse ka vdekur vetëm Amnoni». Absalomi mori arratinë. Ndërkohë, djaloshi që bënte roje ngriti sytë dhe pa se po vinte një turmë e madhe njerëzish nga rruga mbrapa tij, anës malit. Atëherë Jonadabi i tha mbretit: «Ja, po vijnë bijtë e mbretit. Ka ndodhur siç tha shërbëtori yt». Sa mbaroi fjalën, ia behën bijtë e mbretit. Ata vajtonin me të madhe. Edhe mbreti me shërbëtorët e tij vunë kujën dhe vajtuan. Absalomi iku dhe shkoi te Talmai, biri i Amihudit, mbreti i Geshurit. Davidi e vajtonte të birin çdo ditë. Kështu, Absalomi iku në Geshur dhe qëndroi atje tre vjet. Kur iu lehtësua dhimbja për vdekjen e Amnonit, mbreti David deshi të shkonte e ta takonte Absalomin. Joabi, biri i Cerujahut, e kishte kuptuar se Davidi dëshironte me gjithë zemër ta takonte Absalomin. Atëherë ai dërgoi njerëz në Tekoa, që t'i sillnin një grua të urtë. Joabi i tha: «Bëj sikur mban zi dhe vishu me rroba zie. Mos u lyej me vaj, që të dukesh si një grua që ka kohë që vajton për të vdekurin. Shko te mbreti dhe thuaji siç të them unë». Joabi e mësoi se ç'duhej të thoshte. Gruaja nga Tekoaja shkoi te mbreti, u përkul para tij me fytyrë përtokë e i tha: «Më shpëto, o mbret!». Mbreti e pyeti: «Çfarë ke?». Ajo iu përgjigj: «E mjera unë! Jam vejushë dhe burri më ka vdekur. Shërbëtorja jote kishte dy djem, por ata u grindën në arë dhe askush nuk ndërhyri. Njëri i ra tjetrit dhe e vrau. Tani është ngritur tërë fisi i shërbëtores sate dhe më thonë: “Dorëzoje djalin që vrau të vëllanë. Duam ta vrasim, t'i marrim gjakun vëllait që vrau dhe ta shfarosim”. Duan të më shuajnë edhe atë dritëz që më ka mbetur, që të mos i mbetet burrit tim as emër e as pasardhës mbi tokë». Mbreti i tha: «Shko në shtëpi dhe do të lëshoj një urdhëresë lidhur me çështjen tënde». Gruaja nga Tekoaja i tha mbretit: «Paudhësia rëntë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, o imzot mbret, e jo mbi mbretin e mbi fronin e tij». Mbreti i tha: «Atë që të thotë ndonjë gjë, sille tek unë. Askush nuk do të të prekë më». Ajo i tha: «Le të betohet mbreti për Zotin, Perëndinë e tij, se nuk do ta lejojë gjakmarrësin të bëjë një të keqe edhe më të madhe e të më vrasë djalin». Ai i tha: «Pasha Zotin, djalit tënd s'ka për t'i rënë asnjë fije floku». Atëherë gruaja i tha: «Lejoje shërbëtoren tënde t'i thotë një fjalë mbretit, timzotit». Mbreti i tha: «Fol!». Gruaja i tha: «Atëherë përse sheston kështu kundër popullit të Perëndisë? Mbreti e tregoi veten fajtor me fjalët që tha, duke mos e kthyer të arratisurin. Të gjithë vdesim dhe jemi si uji që derdhet në tokë e nuk mblidhet më. As Perëndia nuk merr jetë, por mendon sesi i dëbuari të mos mbetet larg tij. Kam ardhur për t'ia thënë mbretit zotërisë tim këtë fjalë, sepse populli më futi frikën. Shërbëtorja jote mendoi: “Do të flas me mbretin dhe ndoshta mbreti ia dëgjon fjalën shërbëtores së tij. Mbreti do të më dëgjojë dhe do ta shpëtojë shërbëtoren e vet prej dorës së atij që kërkon të më fshijë bashkë me tim bir prej trashëgimisë së Perëndisë”. Se shërbëtorja jote mendoi: “Fjalët e timzoti, mbretit, do të më qetësojnë, sepse imzot, mbreti, është si engjëlli i Perëndisë dhe e dallon të mirën nga e keqja”. Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty!». Atëherë mbreti i tha gruas: «Mos më fshih asgjë për çfarë do të të pyes». Gruaja i tha: «Fol, imzot, mbret». Mbreti i tha: «A mos të shtyu Joabi për të gjitha këto?». Gruaja iu përgjigj: «Pasha jetën tënde, imzot mbret, nuk i shmangem dot asgjëje nga çfarë thotë imzot, mbreti. Po, shërbëtori yt, Joabi, më urdhëroi e ia tha shërbëtores sate të gjitha këto fjalë. Shërbëtori yt Joabi e bëri këtë për të ndryshuar rrethanat, por ti, imzot, ke urtinë e një engjëlli të Perëndisë për të kuptuar ç'ndodh mbi tokë». Atëherë mbreti i tha Joabit: «Mirë, pra, po e bëj. Shko, merre djaloshin Absalom dhe ktheje këtu». Joabi ra me fytyrë përdhe, u përkul para mbretit, e bekoi e i tha: «Sot shërbëtori yt e kuptoi se ka pëlqimin tënd, o imzot, mbret, sepse mbreti ia dëgjoi fjalën shërbëtorit të tij». Atëherë Joabi u ngrit e shkoi në Geshur për ta kthyer Absalomin në Jerusalem. Megjithatë mbreti tha: «Le të kthehet në shtëpi, por të mos më dalë para syve». Kështu, Absalomi u kthye në shtëpi, por nuk i doli mbretit para syve. Në mbarë Izraelin nuk kishte burrë më të pashëm e më të përlëvduar se Absalomi. Ai nuk kishte asnjë të metë që nga shputa e këmbëve deri në majë të kokës. Në fund të çdo viti ai i qethte flokët e kokës, sepse i rëndonin. Kur i qethte, i peshonte, dhe ishin më shumë se dhjetë kilogramë, sipas masës së mbretit. Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë, që quhej Tamara. Tamara ishte shumë e bukur. Absalomi ndenji dy vjet në Jerusalem pa i dalë para syve mbretit. Atëherë ai dërgoi të thërrisnin Joabin, që ta paraqiste te mbreti, por Joabi nuk deshi të shkonte tek ai. E thirri për së dyti, por ai prapë nuk deshi të vinte. Absalomi u tha shërbëtorëve të vet: «Ja, ara e Joabit është afër arës sime dhe është e mbjellë me elb. Shkoni dhe vërini flakën». Shërbëtorët e Absalomit i vunë flakën arës së Joabit. Atëherë Joabi u ngrit, shkoi në shtëpinë e Absalomit e i tha: «Përse ia vunë flakën arës sime shërbëtorët e tu?». Absalomi iu përgjigj: «Sepse të kërkova të vije tek unë, që të të dërgoja te mbreti për t'i thënë: “Përse u ktheva nga Geshuri? Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha qëndruar atje”. Le të shkoj te mbreti dhe, nëse jam fajtor, të më vrasë». Joabi shkoi e foli me mbretin. Atëherë mbreti e thirri Absalomin. Absalomi shkoi te mbreti dhe ra me fytyrë përtokë para tij. Mbreti e përqafoi Absalomin. Pas kësaj, Absalomi mori një karrocë me kuaj dhe vuri pesëdhjetë burra të vraponin para tij. Ai ngrihej herët, qëndronte ndanë rrugës për te porta e qytetit, thërriste këdo që kishte ndonjë çështje gjyqësore e që shkonte për gjykim para mbretit dhe e pyeste: «Nga cili qytet je?». Ai i përgjigjej: «Shërbëtori yt është nga aksh fis i Izraelit». Atëherë Absalomi i thoshte: «Ja, çështja jote është e ndershme dhe e drejtë, por nga ana e mbretit nuk ka kush të dëgjon». E thoshte: «Po të më caktonin mua gjykatës të vendit, kushdo që të kishte ndonjë çështje gjyqësore, do të vinte tek unë dhe unë do ta gjykoja me drejtësi». Kur i afrohej ndokush dhe përkulej para tij, ai shtrinte dorën, e ngrinte dhe e përqafonte. Kështu vepronte Absalomi me të gjithë izraelitët që shkonin për gjykim te mbreti. Absalomi ua fitoi zemrat burrave të Izraelit. Pas katër vjetësh, Absalomi i tha mbretit: «Të lutem, më lejo të shkoj në Hebron për të përmbushur një betim që i kam bërë Zotit. Kur jetonte në Geshur të Aramit, shërbëtori yt u betua e tha se do t'i shërbente Zotit po ta kthente në Jerusalem». Mbreti i tha: «Shko në paqe». Absalomi u ngrit e shkoi në Hebron. Atëherë ai dërgoi fshehtas lajmëtarë në mbarë fiset e Izraelit e u tha: «Kur të dëgjoni tingullin e bririt, shpallni se Absalomi është bërë mbret në Hebron». Bashkë me Absalomin u nisën prej Jerusalemit, pa të keq, edhe dyqind të ftuar. Ata nuk dinin gjë. Absalomi dërgoi prej Gilohut Ahitofel Gilonitin, këshilltarin e Davidit, për të kushtuar flitë. Kryengritja sa vinte e forcohej dhe përkrahësit e Absalomit shtoheshin. Një lajmëtar erdhi te Davidi e i tha: «Burrat e Izraelit po shkojnë me gjithë zemër pas Absalomit». Atëherë Davidi u tha të gjithë shërbëtorëve të tij, që ishin me të në Jerusalem: «Ngrihuni të ikim, që t'i shpëtojmë Absalomit. Le të nxitojmë, që të mos na vërsulet e të na kapë. Përndryshe do të na shfarosë dhe do ta kalojë qytetin në teh të shpatës». Shërbëtorët i thanë mbretit: «Sido që të vendosë imzot, mbreti, shërbëtorët i ka gati». Mbreti me mbarë shtëpinë e vet doli nga qyteti më këmbë. Për të ruajtur shtëpinë la dhjetë shemra. Mbreti dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën më këmbë nga qyteti dhe u ndalën te shtëpia e fundit. Të gjithë shërbëtorët marshuan në krah të tij. Të gjithë keretitët, peletitët dhe gititët, gjithsej gjashtëqind burra që ishin vënë në shërbim të tij që nga Gati, kaluan para mbretit. Mbreti i tha Ita Gititit: «Përse vjen me ne? Kthehu në qytet dhe qëndro me mbretin e ri, sepse je tashmë i huaj e në mërgim, larg vendit tënd. Dje erdhe dhe sot të duhet të endesh me ne, kur as unë vetë nuk di ku po shkoj. Kthehu e merr me vete edhe vëllezërit e tu dhe mirësia e besnikëria qofshin me ty!». Itai iu përgjigj mbretit e i tha: «Pasha Zotin dhe pasha jetën e mbretit, zotërisë tim, kudo të jetë mbreti, zotëria im, gjallë a vdekur, atje do të jetë edhe shërbëtori yt». Davidi i tha Itait: «Kalo atëherë». Ita Gititi kaloi bashkë me luftëtarët e tij dhe me të gjithë të vegjlit që ishin me të. Mbarë vendi vajtonte me kujë, teksa luftëtarët kalonin para mbretit. Edhe vetë mbreti e kaloi përroin e Kidronit dhe mbarë populli u nis rrugës së shkretëtirës. Kaloi edhe Cadoku bashkë me të gjithë levitët që mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë. Ata e ulën arkën e Perëndisë dhe Abiatari kushtoi fli, derisa kaloi mbarë populli që doli prej qytetit. Atëherë mbreti i tha Cadokut: «Ktheje arkën e Perëndisë në qytet. Nëse gjej hir në sytë e Zotit, ai do të më kthejë prapë që ta shoh arkën dhe banesën e saj. E nëse thotë se nuk i pëlqej, ja ku jam, le të bëjë me mua si t'i duket më mirë atij». Atëherë mbreti i tha priftit Cadok: «Shiko këtu! Ti kthehu në qytet në paqe bashkë me tët bir, Ahimacin, dhe me Jonatanin, birin e Abiatarit. Unë do të endem nëpër vatën e shkretëtirës, derisa të më dërgoni lajm». Cadoku dhe Abiatari e kthyen arkën e Perëndisë në Jerusalem dhe qëndruan atje. Davidi iu ngjit përpjetës së malit të Ullinjve duke qarë, kokë mbuluar e këmbë zbathur. Edhe mbarë populli që e shoqëronte iu ngjit përpjetës kokë mbuluar dhe duke qarë. Davidin e lajmëruan se Ahitofeli ishte mes atyre që ishin bashkuar me Absalomin. Atëherë Davidi tha: «O Zot, bëji të marra këshillat e Ahitofelit». Kur arriti në majë, Davidi adhuroi Perëndinë. Atëherë ia behu Husha Arkiti me rroba të shqyera dhe me kokën të mbuluar me dhe. Davidi i tha: «Nëse vjen me mua, do të më bëhesh barrë. Por nëse kthehesh në qytet e i thua Absalomit: “Jam shërbëtori yt, o mbret. Në të shkuarën isha shërbëtor i tyt eti, por tani jam shërbëtori yt”, atëherë do të mund t'i kthesh këshillat e Ahitofelit në të mirën time. Pranë do të kesh edhe priftërinjtë Cadok dhe Abiatar. Ç'të dëgjosh në shtëpinë e mbretit tregoja priftërinjve Cadok dhe Abiatar. Me ta janë edhe dy bijtë e tyre, Ahimaci i Cadokut dhe Jonatani i Abiatarit. Dërgoni ata për të më njoftuar gjithçka që dëgjoni». Hushai, miku i Davidit, u kthye në Jerusalem teksa Absalomi po hynte në qytet. Davidi sapo kishte kaluar majën e malit, kur i doli para Cibai, shërbëtori i Mefiboshetit, me dy gomarë të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta verore dhe një kacek verë. Mbreti i tha Cibait: «Për çfarë të duhen këto?». Cibai iu përgjigj: «Gomarët do t'i shërbejnë shtëpisë së mbretit për rrugëtimin, buka dhe frutat do të jenë ushqim për të rinjtë, ndërsa vera, pije për ata që do të këputen nga lodhja e shkretëtirës». Mbreti i tha: «Ku është biri i zotërisë sate?». Cibai iu përgjigj: «U ndal në Jerusalem, sepse mendon se sot shtëpia e Izraelit do t'ia kthejë mbretërinë e të atit». Mbreti i tha Cibait: «Qoftë e jotja, pra, gjithçka që i përkiste Mefiboshetit!». Cibai iu përgjigj: «Përkulem para teje. Gjetsha hir në sytë e tu, o imzot, mbret». Kur mbreti David mbërriti në Bahurim, i doli para një burrë prej farefisit të Saulit. Ai quhej Shime dhe ishte biri i Gerait. Shimei ecte e mallkonte dhe hidhte gurë kundër Davidit, kundër mbarë popullit dhe kundër të gjithë luftëtarëve djathtas e majtas mbretit. Shimei mallkonte e thoshte: «Ik, ik, o njeri gjakatar, o njeri i poshtër! Zoti e hodhi mbi ty të gjithë gjakun e shtëpisë së Saulit, sepse i more mbretërinë. Zoti ia dha mbretërimin birit tënd, Absalomit. Të gjeti e zeza, se je njeri gjakatar». Atëherë Abishai, biri i Cerujahut, i tha mbretit: «Pse po e mallkon zotërinë tim, mbretin, ky qen i ngordhur? Më lër t'ia pres kokën!». Por mbreti i tha: «Ç'punë kam unë me ju, o bijtë e Cerujahut? Nëse ai po mallkon, sepse i ka thënë Zoti të mallkojë Davidin, atëherë kush mund t'i thotë: “Përse po mallkon?”». Davidi i tha Abishait dhe të gjithë shërbëtorëve të tij: «Edhe im bir, që ka dalë prej meje, kërkon të ma marrë jetën! Aq më tepër ky benjaminas. Lëreni të mallkojë, se kështu i ka thënë Zoti. Ndoshta Zoti e sheh mjerimin tim dhe, në vend të mallkimit të sotëm, më sjell bekim». Atëherë Davidi dhe luftëtarët e tij vijuan rrugën, ndërsa Shimei ecte shpatit të malit, krahas tyre, duke mallkuar, duke gjuajtur me gurë e duke ngritur pluhur. Mbreti e mbarë populli mbërritën të këputur dhe aty morën veten. Absalomi dhe të gjithë izraelitët që ishin me të hynë në Jerusalem. Edhe Ahitofeli erdhi me të. Kur Husha Arkiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, i tha: «Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!». Atëherë Absalomi e pyeti Hushain: «Kjo është besnikëria jote ndaj mikut tënd? Pse nuk shkove me mikun tënd?». Hushai iu përgjigj Absalomit: «Jo! Unë jam me atë që ka zgjedhur Zoti, ky popull e mbarë Izraeli. Atij i përkas dhe me të do të qëndroj. Për më tepër, kujt po i shërbej? A nuk po i shërbej birit të tij? Siç i kam shërbyer tyt eti, ashtu do të të shërbej edhe ty». Atëherë Absalomi i tha Ahitofelit: «Këshillohuni se ç'duhet të bëjmë». Ahitofeli i tha Absalomit: «Shko me shemrat e tyt eti që ai i la për të ruajtur shtëpinë. Kur ta marrë vesh mbarë Izraeli si e ke turpëruar tët atë, përkrahësit e tu do të marrin forcë». Atëherë ngritën në tarracë një tendë për Absalomin dhe ai shkoi me shemrat e të atit para syve të mbarë Izraelit. Këshilla që jepte asokohe Ahitofeli ishte si fjala e Perëndisë. Këshilla e Ahitofelit vlerësohej shumë si në kohën e Davidit, ashtu edhe në kohën e Absalomit. Ahitofeli i tha Absalomit: «Më lejo të zgjedh dymbëdhjetë mijë luftëtarë dhe të ngrihem që sonte e të ndjek Davidin. Do t'i vërsulem kur të jetë i lodhur e i këputur dhe do t'i fus tmerrin. Kur mbarë populli, që është me të, të ketë marrë arratinë, do t'i vërsulem vetëm mbretit. Mandej do ta kthej mbarë popullin te ti. Kur të gjithë të jenë kthyer te ti, përveç atij që kërkoje, mbarë populli do të jetë në paqe». Fjalët e Ahitofelit i pëlqyen Absalomit e mbarë pleqësisë së Izraelit. Megjithatë Absalomi tha: «Thërrisni edhe Husha Arkitin, që të dëgjojmë edhe mendimin e tij». Hushai shkoi tek Absalomi dhe Absalomi i tha: «Ahitofeli ka thënë kështu. A të veprojmë siç tha ai apo ke ndonjë gjë për të thënë?». Hushai iu përgjigj Absalomit: «Këshilla që ka dhënë Ahitofeli këtë herë nuk është e mirë». E shtoi: «Ti e njeh mirë tët atë dhe burrat që janë me të. Ata janë luftëtarë trima e të paepur, si arusha në arë kur i rrëmbejnë këlyshët. Yt atë është luftëtar i zoti dhe nuk e kalon natën me popullin. Ja, tani do të jetë fshehur në ndonjë shpellë ose në ndonjë vend tjetër dhe, nëse vritet ndonjëri prej nesh i pari, tjetri do ta dëgjojë e do të thotë: “Po bëhet kërdia mes njerëzve që shkuan pas Absalomit”. Atëherë edhe më trimi zemërluan do të dëshpërohej thellë, sepse mbarë Izraeli e di se yt atë është luftëtar trim dhe se ata që janë me të janë trima të fortë. Këshilla ime është të mblidhet te ti mbarë Izraeli, nga Dani në Bershebë, i panumërt si rëra e bregut të detit, dhe të dalësh edhe ti në luftë. Atëherë do ta sulmojmë kudo që të jetë dhe do t'i vërsulemi si vesa që bie mbi tokë. Nuk ka për t'i mbetur asnjë nga trimat që janë me të. Nëse tërhiqet në ndonjë qytet, mbarë Izraeli do t'i hedhë atij qyteti litarët dhe do ta plandosë në përrua, derisa të mos i mbetet asnjë gur». Absalomi dhe të gjithë izraelitët thanë: «Këshilla e Husha Arkitit është më e mirë se këshilla e Ahitofelit». Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahitofelit, me qëllim që Zoti t'i sillte shkatërrim Absalomit. Hushai u tha priftërinjve Cadok dhe Abiatar: «Kështu e kështu e këshilloi Ahitofeli Absalomin dhe pleqësinë e Izraelit, ndërsa unë e këshillova kështu e kështu. Prandaj çojini fjalë Davidit shpejt e thuajini: “Mos e kalo natën në fushat e shkretëtirës, por kalo lumin, që të mos shfaroset mbreti bashkë me popullin që është me të”». Jonatani dhe Ahimaci qëndronin te burimi i Rogelit, sepse nuk duhej t'i shihnin duke hyrë në qytet. Një shërbëtore shkoi e i njoftoi dhe ata u nisën për të njoftuar mbretin David. Por një djalosh i pa dhe i tregoi Absalomit. Atëherë ata nxituan, shkuan në një shtëpi në Bahurim që kishte një pus në oborr dhe zbritën në pus. Gruaja mori një mbulesë dhe mbuloi grykën e pusit. Pastaj hodhi grurë mbi të pa e marrë vesh askush. Shërbëtorët e Absalomit shkuan te shtëpia e gruas dhe e pyetën: «Ku janë Ahimaci dhe Jonatani?». Ajo iu përgjigj: «Kaluan në anën tjetër të përroit». Ata i kërkuan, por nuk i gjetën. Pastaj u kthyen në Jerusalem. Pasi u larguan shërbëtorët e Absalomit, ata dolën prej pusit, shkuan për të njoftuar mbretin David e i thanë: «Ngrihu e kalo shpejt lumin, se kështu e kështu i ka këshilluar Ahitofeli kundër jush». Atëherë Davidi u ngrit bashkë me popullin, që ishte me të, dhe kaluan Jordanin. Askush nuk mbeti pa e kaluar Jordanin deri në mëngjes. Kur Ahitofeli pa se nuk ia dëgjuan këshillën, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpi, në qytetin e vet. Pasi u la atyre të shtëpisë porositë e fundit, vari veten dhe vdiq. E varrosën në varrin e të atit. Kur Absalomi dhe të gjithë izraelitët që ishin me të kaluan Jordanin, Davidi mbërriti në Mahanaim. Në krye të ushtrisë Absalomi kishte caktuar Amasain në vend të Joabit. Amasai ishte i biri i një burri që quhej Itra Izraeliti, i cili kishte shkuar në shtrat me Abigajlën, të bijën e Nahashit dhe të motrën e Cerujahës, të ëmës së Joabit. Izraeli dhe Absalomi e ngritën fushimin në tokën e Gileadit. Kur mbërriti Davidi në Mahanaim, Shobiu, biri i Nahashit nga Rabahu i bijve të Amonit, dhe Makiri, biri i Amielit nga Lo Debari, dhe Barzila Gileaditi nga Roglimi i sollën shtretër, govata dhe enë balte. Sollën edhe grurë, elb, miell, grurë të pjekur, fasule, thjerrëza, fara të pjekura, mjaltë, gjalpë, dele dhe djathë lope për Davidin dhe për popullin që ishte me të, që të hanin. Ua kishte marrë mendja se populli ishte i uritur, i lodhur e i etur nga shkretëtira. Davidi rreshtoi popullin që ishte me të dhe caktoi mbi ta kryemijës e kryeqindës. Një të tretën e luftëtarëve i la nën udhëheqjen e Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Abishait, birit të Cerujahut e të vëllait të Joabit, dhe një të tretën nën udhëheqjen e Ita Gititit. Mbreti u tha luftëtarëve: «Do të dal edhe unë me ju në luftë». Por luftëtarët i thanë: «Jo, mos dil, sepse po të na duhet t'ia mbathim, nuk do të na japin rëndësi. Edhe po të vritet gjysma prej nesh, nuk do të na japin rëndësi, ndërsa ti vlen sa dhjetë mijë prej nesh. Prandaj është më mirë të rrish në qytet e të na ndihmosh prej atje». Mbreti iu përgjigj: «Do të bëj si të jetë më mirë për ju». Kështu, mbreti qëndroi pranë portës së qytetit, ndërsa ushtria u nis e ndarë në njësi mijëshe dhe qindëshe. Mbreti i dha këtë urdhër Joabit, Abishait e Itait: «Për hatrin tim, mos i bëni keq djaloshit Absalom». Mbarë populli e dëgjoi urdhrin që mbreti u dha krerëve të ushtrisë për Absalomin. Ushtria doli në fushë për t'u ndeshur me Izraelin. Beteja u bë në pyllin e Efraimit. Aty luftëtarët e Davidit i mposhtën izraelitët. Atë ditë u bë kërdia dhe mbetën të vrarë njëzet mijë burra. Beteja u shtri në mbarë krahinën dhe atë ditë pylli gllabëroi më shumë njerëz sesa shpata. Absalomi hasi në luftëtarët e Davidit. Ai i kishte hipur një mushke. Kur mushka hyri nën degët e një lisi të madh, Absalomit i ngeci koka në lis dhe ai mbeti varur në ajër, ndërkohë që mushka ku kishte hipur iku. Dikush e pa, njoftoi Joabin e i tha: «Pashë Absalomin të varur në lis». Joabi i tha atij që e njoftoi: «Nëse e pe, pse nuk e hodhe përtokë? Do të të jepja dhjetë monedha argjendi dhe një brez». Ai burrë i tha Joabit: «Edhe po të më jepje një mijë monedha në dorë, nuk do të vija dorë mbi birin e mbretit, sepse e dëgjuam me veshët tanë kur mbreti të urdhëroi ty, Abishain dhe Itain, që ta mbronit djaloshin Absalom. Po t'ia kisha marrë jetën pabesisht, mbreti do ta merrte vesh, si përherë, dhe as ti nuk do të më mbroje». Joabi i tha: «Po humb kohë kot me ty». Mori tri shtiza në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit, që ishte ende gjallë, në degët e lisit. Absalomin e rrethuan edhe dhjetë djelmoshat, që i mbanin armët Joabit, e goditën dhe e vranë. Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria e ndali sulmin ndaj Izraelit, sepse i përmbajti Joabi. Pastaj ata e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe e mbuluan me një pirg të madh gurësh. Mbarë Izraeli mori arratinë dhe të gjithë u shpërndanë nëpër tenda. Kur kishte qenë gjallë, Absalomi i kishte ngritur vetes një përmendore në luginën e Mbretit, duke thënë: «Nuk kam djalë që të mbajë në jetë kujtimin e emrit tim». Përmendores i vuri emrin e vet dhe ajo quhet deri sot «Përmendorja e Absalomit». Ahimaci, biri i Cadokut, tha: «Po shkoj me vrap t'i jap mbretit lajmin se Zoti i bëri drejtësi dhe e çliroi prej armiqve». Joabi i tha: «Mos ia ço lajmin sot, por lajmëroje një ditë tjetër. Sot nuk i çon lajm të mirë, se mbeti i vdekur biri i mbretit». Pastaj Joabi i tha një kushiti: «Shko e tregoji mbretit ç'ke parë!». Kushiti u përkul para Joabit dhe u nis me vrap. Ahimaci, biri i Cadokut, i tha përsëri Joabit: «Çfarëdo që të ndodhë, më lejo të shkoj edhe unë me vrap pas kushitit!». Joabi i tha: «Përse të vraposh, biri im? Nuk do të marrësh asnjë shpërblim për lajmin». Ai iu përgjigj: «Të ndodhë ç'të ndodhë, dua të shkoj». Ahimaci vrapoi udhës fushore dhe ia kaloi kushitit. Ndërkohë Davidi ishte ulur midis dy portave. Një vrojtues, që ishte ngjitur mbi çatinë e portës pranë mureve, ngriti sytë dhe pa një burrë që vraponte vetëm. Vrojtuesi bërtiti dhe njoftoi mbretin. Mbreti i tha: «Nëse është vetëm, sjell lajme». Vrojtuesi pa edhe një burrë tjetër që vraponte dhe i bërtiti portarit e i tha: «Shoh një burrë që po vrapon vetëm!». Mbreti tha: «Edhe ai sjell lajme». Atëherë vrojtuesi tha: «Vrapi i të parit më duket si vrapi i Ahimacit, birit të Cadokut». Mbreti i tha: «Është njeri i mirë dhe sjell lajme të mira». Ahimaci i thirri mbretit e i tha: «Paqe!». Pastaj u përkul me fytyrë përtokë e tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të dorëzoi ata që u ngritën kundër timzoti, mbretit!». Mbreti e pyeti: «A është mirë djaloshi Absalom?». Ahimaci iu përgjigj: «Kur më dërgoi Joabi, shërbëtori i mbretit, pashë se kishte një trazirë të madhe, por shërbëtori yt nuk di gjë». Mbreti i tha: «Hiqu mënjanë dhe rri aty». Ahimaci u hoq mënjanë dhe ndenji. Pastaj erdhi kushiti e tha: «Sjell lajm për timzot, mbretin. Zoti të ka dorëzuar sot ata që t'u ngritën kundër». Mbreti e pyeti kushitin: «A është mirë djaloshi Absalom?». Kushiti iu përgjigj: «Të gjithë armiqtë e timzot, mbretit, dhe të gjithë ata që ngrihen për t'i bërë keq mbretit i gjettë çfarë gjeti djaloshin». Mbreti u rrëqeth, u ngjit në dhomën e epërme të portës dhe qau. Ecte dhe thoshte: «O biri im Absalom, o biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!». Joabin e lajmëruan se mbreti po qante e po vajtonte Absalomin. Fitorja u kthye atë ditë në vaj për mbarë popullin, se populli e mori vesh po atë ditë që mbreti po vajtonte të birin. Ushtria hyri fshehtas në qytet, siç kthehet një ushtri e turpëruar në fushën e betejës. Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe thërriste me të madhe: «O biri im, Absalom! Absalom, o biri im, biri im!». Atëherë Joabi hyri në shtëpinë e mbretit e i tha: «Sot ua mbulove fytyrën me turp të gjithë shërbëtorëve të tu që të shpëtuan jetën ty, bijve të tu, bijave, grave dhe shemrave të tua. Ti do ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan. Sot e tregove se nuk do t'ia dish për prijësit dhe për shërbëtorët e tu. Sot po e kuptoj se do të kishe dashur të vdisnim ne të gjithë, veç të ishte gjallë Absalomi. Prandaj, ngrihu e folu me gjithë zemër shërbëtorëve të tu. Të betohem për Zotin se nëse nuk del, askush nuk do të qëndrojë sonte me ty dhe kjo do të jetë për ty e keqja më e madhe që të ka gjetur ndonjëherë që nga rinia e deri tani». Mbreti u ngrit dhe u ul te porta. Lajmëruan mbarë popullin se mbreti ishte ulur te porta. Atëherë mbarë populli u paraqit para mbretit, ndërsa izraelitët kishin ikur secili në tendën e vet. Të gjithë izraelitët grindeshin nëpër fiset e tyre e thoshin: «Mbreti na ka çliruar nga dora e armiqve dhe na ka shpëtuar nga dora e filistinëve, e tani iu desh të ikte nga vendi prej Absalomit. Por Absalomi, të cilin ne e vajosëm mbret, mbeti i vrarë në betejë. Përse heshtni, pra, dhe nuk e ktheni mbretin?». Mbreti David u çoi fjalë priftërinjve Cadok dhe Abiatar e u tha: «Flisni me pleqësinë e Judës e thuajuni: “Përse jeni të fundit për ta kthyer mbretin në shtëpinë e tij, kur lajmi se mbarë Izraeli po flet për këtë ka mbërritur deri te mbreti në shtëpinë e tij? Ju jeni vëllezërit e mi, jeni kocka dhe mishi im. Përse të jeni të fundit për ta kthyer mbretin?”. Amasait thuajini: “A nuk je ti kocka dhe mishi im? Kështu e më zi ma bëftë Perëndia, nëse ti nuk bëhesh kreu i ushtrisë, në vend të Joabit, për sa të jesh gjallë”». Kështu, ai i ktheu tok zemrat e të gjithë burrave të Judës. Atëherë i dërguan fjalë mbretit e i thanë: «Kthehu me gjithë shërbëtorët e tu». Mbreti mori rrugën e kthimit dhe mbërriti në Jordan. Judenjtë shkuan në Gilgal për ta takuar dhe për ta kaluar këtej Jordanit. Bashkë me judenjtë, që kishin ardhur për të takuar mbretin David, kishte ardhur me nxitim edhe Shime Benjaminasi, biri i Gerait, nga Bahurimi. Me të ishin një mijë benjaminas, si edhe Cibai, shërbëtori i shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij e me njëzet shërbëtorë. Ata shpejtuan për në Jordan dhe i dolën para mbretit. Ata kaluan vaun e lumit për të sjellë në anën tjetër shtëpinë e mbretit dhe për të bërë çka u dukej mirë për mbretin. Atëherë Shimei, biri i Gerait, ra përmbys para mbretit, teksa ky kalonte Jordanin, e i tha: «Mos më ngarko me faj, imzot. Mos e kujto të keqen që bëri shërbëtori yt ditën kur imzot, mbreti, iku nga Jerusalemi, dhe mos e merr parasysh. Shërbëtori yt e di se ka mëkatuar, prandaj kam ardhur sot i pari prej mbarë shtëpisë së Jozefit për të takuar timzot, mbretin». Abishai, biri i Cerujahut, u përgjigj: «A mjafton kjo për të mos e dënuar me vdekje Shimein? Ai mallkoi të vajosurin e Zotit ». Por Davidi tha: «Ç'punë kam unë me ju, o bijtë e Cerujahut? Përse bëheni sot kundërshtarët e mi? A bën të vritet sot ndonjë izraelit, sot që po kuptoj se jam mbreti i Izraelit?». Atëherë mbreti i tha Shimeit: «Nuk ke për të vdekur» dhe iu betua. Mefibosheti, biri i Saulit, doli për të takuar mbretin. Ai as kishte larë këmbët, as kishte qethur mjekrën dhe as kishte larë rrobat që nga dita kur mbreti kishte ikur e derisa u kthye në paqe. Kur ai doli prej Jerusalemit për të takuar mbretin, mbreti i tha: «Përse nuk erdhe me mua, Mefiboshet?». Mefibosheti iu përgjigj: «Imzot mbret, më gënjeu shërbëtori im. Shërbëtori yt i kishte thënë atij se do të shalonte gomarin, që t'i hipte e të ikte me mbretin, sepse shërbëtori yt është i çalë. Mandej shërbëtori im ka shpifur për mua para mbretit, por imzot mbreti, është si engjëlli i Perëndisë. Bëj si të të duket e drejtë. Mbarë familja e tim eti ka merituar vdekjen para timzot, mbretit, ndërsa ti më vure mua, shërbëtorin tënd, të ulem të ha në tryezën tënde. A kam më unë të drejtë t'i kërkoj ndonjë gjë mbretit?». Mbreti i tha: «S'është nevoja të shtosh fjalë të tjera. E kam vendosur: ti dhe Cibai do t'i ndani tokat me njëri-tjetrin». Mefibosheti iu përgjigj mbretit: «Le t'i marrë të gjitha, sepse imzot mbreti, u kthye në paqe në shtëpinë e vet». Edhe Barzila Gileaditi erdhi nga Roglimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin për ta përshëndetur. Barzilai ishte i thyer në moshë, ishte tetëdhjetë vjeç. Ai i kishte sjellë ushqime mbretit për sa kohë kishte qëndruar në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur. Mbreti i tha Barzilait: «Eja me mua dhe unë do të kujdesem për ty në Jerusalem». Barzilai i tha mbretit: «Edhe sa kohë më paska mbetur, që të vij me mbretin në Jerusalem? Tashmë jam tetëdhjetë vjeç. A e dalloj dot të mirën nga e keqja? A mund të shijojë shërbëtori yt çka ha e çka pi? A mund ta dëgjoj dot më zërin e këngëtarëve dhe këngëtareve? Përse shërbëtori yt duhet t'i bëhet barrë timzoti, mbretit? Ja, shërbëtori yt do të ecë pak me mbretin përtej Jordanit. Për këtë do të ma shpërblyeka mbreti? Lejoje shërbëtorin tënd të kthehet e të vdesë në qytetin e vet, pranë varrit të tim eti e të sime mëje. Le të vijë me timzot, mbretin, shërbëtori yt Kimhami dhe imzot, mbreti, le të veprojë me të si t'i duket më mirë». Mbreti i tha: «Le të vijë me mua përtej lumit Kimhami dhe unë do të veproj me të si të të duket ty më mirë. Ç'të më kërkosh, do ta bëj për ty». Pasi mbarë populli e kaloi Jordanin bashkë me mbretin, mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi. Barzilai u kthye në vendin e vet. Mbreti kaloi lumin për në Gilgal dhe Kimhami kaloi bashkë me të. Mbretin e shoqëronte mbarë populli i Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit. Të gjithë burrat e Izraelit shkuan te mbreti e i thanë: «Përse vëllezërit tanë, burrat e Judës, e vodhën dhe e kaluan mbretin dhe familjen e tij përtej Jordanit, bashkë me të gjithë luftëtarët që ishin me Davidin?». Burrat e Judës iu përgjigjën burrave të Izraelit: «Sepse e kemi më afër mbretin. Përse ju djeg kjo punë? A mos kemi ngrënë gjë prej mbretit apo na ka dhënë ndonjëherë dhurata?». Burrat e Izraelit iu përgjigjën burrave të Judës e u thanë: «Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit dhe Davidi është më tepër i yni sesa i juaji. Përse na trajtoni me përbuzje? A nuk ishim ne të parët që kërkuam kthimin e mbretit tonë?». Fjala e burrave të Judës ishte më e ashpër se fjala e burrave të Izraelit. Në Gilgal ndodhej një njeri i lig që quhej Sheba. Ai ishte biri i Bikriut dhe ishte benjaminas. Ai i ra borisë e tha: «Nuk kemi pjesë me Davidin e as trashëgimi me të birin e Jeseut. Secili në tendën e vet, o Izrael!». Atëherë të gjithë izraelitët e lanë Davidin dhe shkuan pas Shebait, birit të Bikriut, ndërsa bijtë e Judës qëndruan me mbretin e tyre, nga Jordani deri në Jerusalem. Kur mbërriti në shtëpinë e tij në Jerusalem, mbreti i mori dhjetë shemrat që i kishte lënë për t'i ruajtur shtëpinë dhe i mbylli në një shtëpi me roja. U kujdes për to, por nuk shkoi më me to. Ato mbetën të mbyllura derisa vdiqën e jetuan si të ishin vejusha. Mbreti i tha Amasait: «Thirr burrat e Judës të vijnë tek unë brenda tri ditësh dhe rri këtu edhe ti». Amasai u nis për të thirrur burrat e Judës, por u vonua përtej kohës që i ishte caktuar. Atëherë Davidi i tha Abishait: «Tani, Shebai, biri i Bikriut, ka për të na e bërë më zi se Absalomi. Merr shërbëtorët e zotërisë tënd dhe ndiqe para se të strehohet në qytetet e fortifikuara dhe të na ikë nga duart». Bashkë me Abishain u nisën burrat e Joabit, keretitët, peletitët dhe të gjithë luftëtarët. Ata dolën nga Jerusalemi për të ndjekur Shebain, birin e Bikriut. Kur arritën te Guri i Madh në Gibeon, u doli përpara Amasai. Joabi ishte veshur për luftë dhe në ijë kishte ngjeshur brezin dhe shpatën në mill. Teksa bëri përpara, shpata i ra. Joabi i tha Amasait: «Si të kam, o vëlla?» dhe e kapi për mjekre me dorën e djathtë për ta përqafuar. Amasai nuk e vuri re shpatën që Joabi mbante në dorë. Joabi ia nguli në bark dhe ia derdhi zorrët përtokë. Nuk e goditi për herë të dytë, se Amasai kishte vdekur. Mandej Joabi dhe Abishai, i vëllai, vijuan të ndiqnin Shebain, birin e Bikriut. Atëherë njëri nga djelmoshat e Joabit u ndal pranë kufomës dhe tha: «Kush do Joabin dhe kush është për Davidin, le të shkojë pas Joabit!». Amasai dergjej i larë në gjak në mes të rrugës. Kur djaloshi vuri re se mbarë populli ndalej për ta parë, e largoi Amasain prej rrugës dhe e çoi në një arë. I hodhi përsipër një rrobë, sepse pa se të gjithë ata që kalonin pranë tij, ndaleshin. Pasi e larguan kufomën nga rruga, shkuan të gjithë pas Joabit për të ndjekur Shebain, birin e Bikriut. Shebai kishte kaluar nëpër mbarë fiset e Izraelit deri në Abel Bet Makah. Atij iu bashkuan edhe të gjithë beritët dhe i shkuan pas. Luftëtarët e Joabit e rrethuan Shebain në Abel Bet Makah. Ngritën një ledh kundër qytetit në lartësinë e mureve dhe të gjithë sa ishin me Joabin përpiqeshin të rrënonin muret e tij. Atëherë një grua e urtë thirri prej qytetit: «Dëgjoni, dëgjoni! Ju lutem, thuajini Joabit të afrohet këtu, që të flas me të». Joabi u afrua dhe gruaja e pyeti: «A je ti Joabi?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». Gruaja i tha: «Dëgjo fjalët e shërbëtores sate». Joabi i tha: «Po dëgjoj». Ajo tha: «Dikur thoshin: “Shko në Abel të pyesësh për këshillë” dhe kështu zgjidhej çështja. Unë jam për paqen e besnikëve të Izraelit. Ti po kërkon të shkatërrosh një nga qytetet më të rëndësishme të Izraelit. Përse kërkon të gllabërosh trashëgiminë e Zotit?». Joabi iu përgjigj: «Larg qoftë! Larg qoftë prej meje, që ta gllabëroj dhe ta shkatërroj. Punët nuk janë ashtu. Është një njeri prej krahinës malore të Efraimit, Shebai, biri i Bikriut. Ai ka ngritur dorë kundër mbretit, kundër Davidit. Dorëzoni vetëm atë dhe unë do të largohem nga qyteti». Gruaja i tha: «Ja, kokën e tij do të ta hedhin nga muret». Gruaja shkoi te mbarë populli dhe i foli me urti. Atëherë ata ia prenë kokën Shebait, birit të Bikriut, dhe ia hodhën Joabit. Joabi i ra borisë. Ata u larguan nga qyteti dhe secili shkoi në tendën e vet. Joabi u kthye në Jerusalem te mbreti. Joabi ishte në krye të mbarë ushtrisë së Izraelit, ndërsa Benajahu, biri i Jehojadait, ishte në krye të keretitëve dhe peletitëve. Adorami ishte mbikëqyrësi i punës së detyruar, ndërsa Joshafati, biri i Ahiludit, ishte shkresar. Shevai ishte shkruesi, ndërsa Cadoku dhe Abiatari ishin priftërinj. Ira Jairiti ishte prifti i Davidit. Në kohën e Davidit ra një zi buke që zgjati tre vjet. Davidi kërkoi këshillë prej Zotit dhe Zoti i tha: «Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe për shkak të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai vrau gibeonitët». Davidi i thirri gibeonitët për të folur me ta. Gibeonitët nuk i përkisnin popullit të Izraelit, por ishin mbetja e amoritëve. Izraelitët u kishin dhënë besën, por Sauli kishte dashur t'i vriste, për shkak të zellit të madh për popullin e Izraelit dhe të Judës. Davidi u tha gibeonitëve: «Çfarë mund të bëj për ju? Si mund t'ju shpaguaj, që ta bekoni trashëgiminë e Zotit?». Ata i thanë: «Nuk duam as argjend e as ar prej Saulit dhe prej shtëpisë së tij dhe nuk duam të vritet askush në Izrael». Davidi u tha: «Do të bëj si të thoni». Ata i thanë: «Prej atij që na ka vrarë dhe që ka dashur të na shfarosë nga mbarë trojeve të Izraelit, të na jepen shtatë pasardhës, që t'i varim para Zotit në Gibeah, atje ku banonte Sauli, i zgjedhuri i Zotit ». Mbreti u tha: «Do t'jua jap». Mbreti e përdëlleu Mefiboshetin, birin e Jonatanit, të birit të Saulit, për shkak të betimit që Davidi dhe Jonatani, biri i Saulit, kishin bërë para Zotit me njëri-tjetrin. Ai mori Armoniun dhe Mefiboshetin, dy bijtë që Ricpaja, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, si edhe pesë bijtë që Mikala, bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit, të birit të Barzila Meholatitit, dhe ua dorëzoi gibeonitëve. Ata i varën në mal para Zotit. Kështu u vranë të shtatë në ditët e para të korrjes, në fillim të korrjes së elbit. Ricpaja, bija e Ajahut, mori një thes dhe e vuri si shtrojë për vete, mbi shkëmb, që nga fillimi i korrjes e derisa ra shi prej qiellit mbi kufomat e tyre. Ajo nuk la t'i prekte asnjë shpend gjatë ditës dhe asnjë egërsirë gjatë natës. Davidit i treguan se ç'kishte bërë Ricpaja, bija e Ajahut, shemra e Saulit. Atëherë Davidi shkoi e mori prej banorëve të Jabesh Gileadit eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, që ata i kishin vjedhur prej sheshit të Bet Sheanit, ku i kishin varur filistinët, ditën që kishin vrarë Saulin në Gilboa. Ai i solli prej andej eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, dhe i bashkoi me eshtrat e të varurve. Eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, i varrosën në tokën e Benjaminit, në Celë, në varrin e Kishit, të atit të Saulit. Ata vepruan siç i kishte urdhëruar mbreti. Atëherë Perëndia e dëgjoi përgjërimin për vendin. Mes filistinëve dhe izraelitëve pati sërish luftë. Davidi dhe shërbëtorët e tij zbritën për të luftuar kundër filistinëve, por Davidi u lodh. Ishbi Benobi, një prej pasardhësve të Rafahut, heshta e të cilit peshonte më shumë se tre kilogramë bronz dhe që kishte ngjeshur në brez një shpatë të re, thoshte se do ta vriste Davidin. Por Davidit i erdhi në ndihmë Abishai, biri i Cerujahut. Ai e goditi filistinin dhe e vrau. Atëherë luftëtarët e Davidit u përbetuan e i thanë Abishait: «Ti s'ke për të dalë më me ne në luftë, që të mos shuhet pishtari i Izraelit». Mandej u bë sërish luftë në Gob kundër filistinëve dhe atëherë Sibeka Hushatiti vrau Safin, njërin prej pasardhësve të Rafahut. Në Gob u bë sërish luftë me filistinët dhe Elhanani, biri i Jare Oregimit, nga Betlehemi, vrau Goliat Gititin, që e kishte shtizën si shuli i vegjës së endësit. Në Gat u bë sërish luftë. Aty ishte një njeri shtatlartë, me nga gjashtë gishta në secilën dorë e në secilën këmbë, pra, njëzet e katër gishtërinj. Edhe ai kishte lindur në Rafah. Kur ai i përqeshi izraelitët, e vrau Jonatani, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. Këta kishin lindur të katërt në Rafah të Gatit dhe u vranë prej dorës së Davidit dhe shërbëtorëve të tij. Davidi i drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge ditën që Zoti e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit e tha: « Zoti është shkëmbi im, fortesa ime e çliruesi im, është Perëndia im, shkrepi ku gjej strehë. Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, ai është kështjella ime. Lavdi pastë Zoti! I thirra dhe nga armiqtë shpëtova. Valët e vdekjes më mbërthyen, përrenj shkatërrimi më tmerruan. Leqet e skëterrës më rrethuan, më zunë pritë grackat e vdekjes. Kur u gjenda ngushtë, i thirra Zotit, i thirra Perëndisë tim. Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim, klithma ime arriti te veshët e tij. Ndaj toka u trand e u tund, themelet e qiejve u shkundën e luajtën vendit, prej zjarrit të zemërimit të tij. Tym doli nga flegrat e hundës së tij e nga goja e tij zjarr shkrumbues. Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan. Qiejt i uli e zbriti poshtë, me një re të errët nën këmbë. Hipur mbi një kerub fluturoi, u shfaq mbi krahët e erës. Errësirën e hodhi rreth vetes, tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta. Prej shkëlqimit të tij flakëronte prush i zjarrtë. Zoti bëri të gjëmojnë qiejt, i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri. Shigjetat e tij dërgoi dhe i shpërndau, me rrufe i gjuajti e i shpartalloi. Burimet e deteve u dukën, themelet e tokës u zbuluan, prej qortimit tënd, o Zot, prej shfryrjes së flegrave të tua. Dorën shtriu nga lart e më kapi, më nxori prej ujërave të shumtë. Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm, nga ata që më urrenin, që ishin më të fortë se unë. M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti u bë përkrahësi im. Më nxori në vend të hapur, më shpëtoi se më kishte për zemër. Kështu bëri Zoti me mua, se jam i drejtë, kështu më shpërbleu, se të pastra duart i kam. Udhët e Zotit kam ndjekur e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi. Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh, nga rregullat e tij nuk shmangem. Kam qenë i ndershëm me të dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur. Zoti më shpërbleu se jam i drejtë, se e pa që jam i pastër. Njeriut besnik ti i qëndron besnik, me të ndershmin i ndershëm tregohesh. Me njeriun e pastër tregohesh i pastër, por me të mbrapshtin tregohesh dinak. Popullin e përvuajtur e shpëton, por sytë e krenarëve i ul poshtë. O Zot, ti je dritëza ime. Perëndia im ma ndriçon errësirën. Me ty do t'i sulmoj çetat plaçkitëse, me Perëndinë tim do t'i kapërcej muret. Udha e Perëndisë është e përsosur, fjala e Zotit e sprovuar në zjarr, ai është mburojë i të gjithë atyre që kërkojnë strehë tek ai. Kush tjetër është Perëndi veç Zotit? Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë? Perëndia që më dha forcë, e ma bëri udhën të përsosur. Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit, në vende të larta më vuri të qëndroj. Duart m'i mësoi për betejë, që krahët e mi të ndejnë hark bronzi. Më dhe mburojën e shpëtimit tënd, përkrahja jote më madhëroi. E shtrove udhën para hapave të mi e këmbët nuk më rrëshqitën. I ndoqa pas armiqtë e i shtypa, nuk do të kthehem pa i shkatërruar. U dhashë fund, i qëllova e më nuk ngrihen, ranë para këmbëve të mia. Më dhe forcë për të luftuar e ata që m'u ngritën kundër nën këmbë m'i përkule. I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin, ata që më urrenin i zhbiva. Hodhën vështrimin, por s'kishte kush t'i shpëtonte, i thirrën edhe Zotit, por nuk iu përgjigj. I thërrmova si pluhurin që e merr era, i shkërmoqa e i shkela si baltën e rrugës. Më çlirove nga grindjet e popullit, në krye të kombeve më vure, një popull që nuk më njihte më shërbeu. Me të dëgjuar për mua, u bindën, bijtë e të huajve u përkulën para meje. U zbehën, u drodhën, e nga fortesat e tyre dolën. Zoti është i gjallë! Bekuar qoftë shkëmbi im! Perëndia u madhëroftë, ai, shkëmbi i shpëtimit tim! Ai merr shpagim për mua, popujt nën këmbë m'i nënshtron, nga armiqtë e mi më çliron. Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi, prej njeriut të dhunshëm më shpëton. Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o Zot, emrin tënd përhimnoj. Zoti ia shton fitoret mbretit të tij, tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet, Davidit e gjithë pasardhësve të tij». Këto janë fjalët e fundit të Davidit: «Kumt i Davidit, birit të Jeseut, kumt i burrit që shumë u madhërua, të vajosurit të Perëndisë së Jakobit, këngëtarit të ëmbël të Izraelit! Shpirti i Zotit foli përmes meje, fjalët e tij i kam në gjuhë. Perëndia i Izraelit më foli, shkëmbi i Izraelit më tha: “Ai që i sundon njerëzit me drejtësi, ai që sundon me drojë Perëndie, është si drita e agimit kur lind dielli, si mëngjesi pa re, si shkëlqimi dhe si shiu, që bimësinë e bën të çelë”. A s'është kështu shtëpia ime me Perëndinë? Besëlidhje të amshuar lidhi ai me mua, të shkoqitur mirë e fort të qëndrueshme. Ai do të ma japë përherë shpëtimin, çdo dëshirë timen do ta plotësojë. Të paudhët do të hidhen të gjithë si ferrat, që me dorë nuk i kap askush. Kush i prek, përdor hekur apo heshtë, me zjarr i shkrumbojnë atje ku janë». Emrat e trimave të Davidit janë këta: Josheb Bashebet Tahkemoniti, kryetari i tre trimave. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve dhe i vrau njëherësh. Pas tij vjen Eleazari, biri i Dodo Ahohitit, njëri ndër tre trimat. Ai ishte me Davidin, kur burrat e Izraelit u mblodhën për luftë kundër filistinëve dhe u nisën për betejë. Ai u ngrit dhe i goditi filistinët derisa iu lodh dora e iu ngjit pas shpatës. Atë ditë Zoti solli një fitore të madhe. Populli u kthye tek Eleazari vetëm për të plaçkitur kufomat. Pas tij vjen Shamai, biri i Age Hararitit. Filistinët ishin mbledhur në Hajë. Aty gjendej një arë plot me thjerrëza, ku njerëzia mori arratinë prej filistinëve. Atëherë zuri vend në mes të arës dhe e mbrojti. I goditi filistinët dhe Zoti solli shpëtimin në mënyrë të madhërishme. Tre prej tridhjetë kryetarëve zbritën në kohën e korrjes te shkëmbi, pranë Davidit, te shpella e Adulamit. Fushimi i filistinëve ishte vendosur në luginën e Refaitëve. Në atë kohë Davidi gjendej në fortesë, ndërsa çeta e filistinëve ishte në Betlehem. Davidi shprehu një dëshirë: «Kush mund të më japë të pi nga pusi që është te porta e Betlehemit?». Këta të tre luftëtarë çanë fushimin e filistinëve dhe nxorën ujë nga pusi që ishte te porta e Betlehemit. E morën dhe ia sollën Davidit për ta pirë, por ai nuk deshi ta pinte dhe e stërpiku për Zotin. Pastaj tha: «Larg qoftë ta bëj këtë gjë para Zotit! A duhet ta pi gjakun e jetës së këtyre burrave?». Prandaj nuk pranoi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima. Abishai, vëllai i Joabit dhe biri i Cerujahut, ishte kryetari i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve, i vrau dhe bëri emër bashkë me këta të tre. Ai ishte më i njohuri ndër të tre dhe u bë prijësi i tyre, megjithatë nuk i arriti dot. Benajahu, biri i Jehojadait, burrë i guximshëm e punëmadh, ishte nga Kabceli. Ai vrau dy njerëz të Ariel Moabit. Pastaj, një ditë me borë, zbriti në një pus dhe vrau një luan. Ai vrau edhe një egjiptian, një burrë të pashëm, i cili mbante në dorë një heshtë. Iu sul me një shkop, ia hoqi heshtën nga dora dhe e vrau me heshtën e vet. Këto gjëra bëri Benajahu, biri i Jehojadait, dhe bëri emër ndër këta të tre. U bë i lavdishëm bashkë me ata të tre, megjithatë nuk i arriti dot. Davidi e vuri në krye të truprojës së vet. Ndër të tridhjetët ishin Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, biri i Dodoit nga Betlehemi, Shamah Haroditi, Elika Haroditi, Halec Paltiti, Irai, biri i Ikesh Tekoitit, Abiezer Anatotiti, Mebuna Hushatiti, Calmon Ahohiti, Mahara Netofatiti, Helebi, biri i Banah Netofatitit, Itai, biri i Ribait nga Gibeahu i bijve të Benjaminit, Benajah Piratoniti, Hidai nga vau i Gashit, Abialbon Arbatiti, Azmavet Barhumiti, Eliakba Shalboniti, bijtë e Jashenit, Jonatani, Shamah Harariti, Ahiami, biri i Sharar Hararitit, Elifeleti, biri i Ahasbajit, të birit të Makatitit, Eliami, biri i Ahitofel Gilonitit, Hecro Karmeliti, Para Arbiti, Igali, biri i Natanit nga Cobahu, Bani Gaditi, Celek Amonitit, Nahra Berotitit, armëmbajtësi i Joabit, të birit të Cerujahut, Ira Hitriti, Gareb Hitriti, Urjah Hititi, gjithsej tridhjetë e shtatë. Zemërimi i Zotit u ndez sërish kundër Izraelit. Ai e nxiti Davidin kundër izraelitëve e i tha: «Shko e numëro Izraelin dhe Judën». Mbreti i tha Joabit, kreut të ushtrisë, që ishte me të: «Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani në Bershebë, dhe bëj regjistrimin e popullit, që të di numrin e popullsisë». Joabi i tha mbretit: « Zoti, Perëndia yt, e shumoftë popullin njëqindfish dhe imzot mbreti e paftë me sytë e vet! Por, pse e do këtë gjë?». Por fjala e mbretit ishte më e fortë se Joabi dhe krerët e ushtrisë, prandaj ata u larguan nga prania e mbretit dhe shkuan për të regjistruar popullin e Izraelit. Ata kaluan Jordanin dhe fushuan në Aroer, në jug të qytetit që shtrihet në mes të vaut, dhe pastaj shkuan në Gad dhe në Jazer. Mandej mbërritën në Gilead dhe në krahinën e Tahtim Hodshiut, shkuan në Dan Jaan dhe në rrethinat e Sidonit dhe mbërritën në fortesën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e hivitëve dhe të kananitëve. Mandej dolën për në Negev të Judës në Bershebë. Pasi përshkuan mbarë vendin, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh. Joabi i dorëzoi mbretit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej tetëqind mijë burra në Izrael dhe pesëqind mijë burra në Judë. Por Davidin filloi ta brejë ndërgjegjja për regjistrimin e popullsisë. Atëherë ai i tha Zotit: «Mëkatova shumë me këtë gjë që bëra. Por, po të përgjërohem, o Zot, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». Kur Davidi u ngrit në mëngjes, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, vegimtarit të Davidit e i tha: «Shko dhe thuaji Davidit se kështu thotë Zoti: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». Gadi erdhi te Davidi për t'i treguar e i tha: «A do që të bien mbi ty shtatë vjet zi buke, tre muaj arrati dhe përndjekje nga armiqtë e tu, apo tri ditë murtajë në vendin tënd? Tani vendose dhe shihe vetë çfarë duhet t'i përgjigjem atij që më dërgoi». Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!». Atëherë Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga mëngjesi deri në kohën e caktuar, dhe prej popullit ranë shtatëdhjetë mijë vetë, nga Dani në Bershebë. Engjëlli shtriu dorën kundër Jerusalemit për ta shkatërruar, por Zoti hoqi dorë nga e keqja, prandaj i tha engjëllit shkatërrimtar: «Mjaft tani! Ndale dorën!». Atëherë engjëlli u ndal te lëmi i Aranjah Jebusitit. Davidi, kur pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: «Ja, unë kam mëkatuar dhe jam fajtor, por këto dele çfarë kanë bërë? Le të më godasë dora jote mua dhe shtëpinë e tim eti». Atë ditë Gadi shkoi te Davidi e i tha: «Shko e ngriji Zotit një altar në lëmin e Aranjah Jebusitit». Davidi shkoi, sipas fjalës që kishte thënë Gadi me urdhër të Zotit. Aranjahu vështroi dhe pa mbretin dhe shërbëtorët e tij që po kalonin. Atëherë doli dhe u përkul para mbretit me fytyrë përdhe. Aranjahu i pyeti: «Përse kanë ardhur imzot mbreti dhe shërbëtorët e tij?». Davidi i tha: «Për të blerë prej teje vendin e lëmit, për t'i ndërtuar Zotit një altar, që të largohet lëngata nga populli». Aranjahu i tha Davidit: «Merre e le të bëjë imzot mbreti çfarë të dojë. Ja edhe mëzetërit për flitë e shkrumbimit, sharra dhe zgjedha e mëzetërve për drutë. Të gjitha këto Aranjahu ia jep mbretit, o mbret!». Mandej Aranjahu i tha mbretit: « Zoti, Perëndia yt, të pranoftë!». Por mbreti David i tha Aranjahut: «Jo, dua ta blej prej teje me çmim të plotë. Nuk do t'i kushtoj Zotit, Perëndisë tim, fli shkrumbimi falas». Kështu, Davidi e bleu lëmin. Pastaj Davidi i ndërtoi Zotit një altar në atë vend dhe kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi. Zoti iu përgjigj përgjërimit për vendin dhe murtaja u largua prej Izraelit. Mbreti David ishte plakur tashmë e ishte në moshë të thyer. Megjithëse e mbulonin trashë, ai nuk ngrohej dot. Atëherë shërbëtorët i thanë: «Le të gjejmë një vashëz të virgjër për mbretin, zotërinë tonë, që të rrijë me mbretin, të kujdeset për të e të flejë përqafuar me të për ta ngrohur». Kërkuan një vashëz të bukur në të gjitha trojet e Izraelit. Gjetën Abishagën, shunamiten, e ia sollën mbretit. Vashëza ishte shumë e bukur. Ajo kujdesej për mbretin e i shërbente, por mbreti nuk pati marrëdhënie me të. Adonjahut, birit të Hagitës, i ishte rritur mendja e thoshte: «Do të bëhem unë mbret!». Ai gjeti një karrocë, disa kalorës dhe pesëdhjetë burra, që rendnin para tij. I ati, Davidi, nuk e kishte qortuar kurrë të birin e nuk i kishte thënë ndonjëherë: «Përse sillesh kështu?». Adonjahu ishte shumë i pashëm, por kishte lindur pas Absalomit. Ai ishte marrë vesh me Joabin, birin e Cerujahut, dhe me priftin Abiatar, që ta ndihmonin. Por prifti Cadok, Benajahu, biri i Jehojadait, profeti Natan, Shimei, Rei dhe luftëtarët e Davidit nuk ishin me Adonjahun. Një ditë Adonjahu kushtoi dele, qe dhe viça pranë shkëmbit të Zoheletit, që ndodhet pranë En Rogelit. Ai ftoi të gjithë vëllezërit e tij, bijtë e mbretit, dhe të gjithë burrat e Judës, që ishin në shërbim të mbretit, por nuk ftoi profetin Natan, Benajahun, luftëtarët trima dhe Solomonin, vëllanë e tij. Atëherë Natani i tha Batshebës, nënës së Solomonit: «A e ke marrë vesh se Adonjahu, biri i Hagitës, është bërë mbret dhe se zotëria ynë, Davidi, nuk di gjë? Tani, dëgjo këshillën time, që të shpëtosh jetën tënde dhe jetën e birit tënd, Solomonit. Shko te mbreti David e thuaji: “Imzot, mbret, a nuk iu betove shërbëtores sate se pas teje do të jetë mbret biri yt, Solomoni, dhe se ai do të ulet mbi fronin tënd? Pse u bë mbret Adonjahu?”. Ndërkohë që ti do të jesh duke folur me mbretin, do të hyj edhe unë pas teje e do t'i vërtetoj fjalët e tua». Kështu, Batsheba shkoi te mbreti dhe hyri në dhomën e tij. Mbreti qe plakur shumë dhe i shërbente Abishaga, shunamitja. Batsheba u përkul para mbretit dhe mbreti e pyeti: «Çfarë do?». Ajo i tha: «Imzot, i je betuar shërbëtores sate, para Zotit, Perëndisë tënd, se mbret do të bëhet Solomoni, biri im, dhe se ai do të ulet në fronin tënd. Por mbret është bërë Adonjahu dhe ti, imzot, mbreti im, nuk e di. Ai ka kushtuar qe, viça të majmë e dele me shumicë dhe ka ftuar të gjithë bijtë e mbretit, priftin Abiatar, kreun e ushtrisë Joabin, por Solomonin, shërbëtorin tënd, nuk e ka ftuar. I gjithë Izraeli i ka drejtuar sytë te ti, o imzot, mbreti im, që të dëftosh se kush do të ulet pas teje në fronin e timzoti, mbretit tim. Përndryshe, kur imzoti, mbreti im, të ketë gjetur prehje bashkë me etërit e tij, unë dhe biri im, Solomoni, do të trajtohemi si tradhtarë». Ajo po fliste ende me mbretin, kur ia behu profeti Natan. E lajmëruan mbretin e i thanë: «Ka ardhur profeti Natan». Profeti Natan shkoi te mbreti, u përkul para tij deri në tokë e i tha: «Imzot, mbreti im, mos ke thënë se mbret pas teje do të jetë Adonjahu dhe se në fronin tënd do të ulet ai? Sot ai ka shkuar e ka kushtuar qe, viça të majmë e dele me shumicë dhe ka ftuar të gjithë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiatar. Ja, ata po hanë e po pinë me të dhe po brohorasin: “Rroftë mbreti Adonjah!”. Por nuk na ftoi as mua, shërbëtorin tënd, as priftin Cadok, as Benajahun, birin e Jehojadait, dhe as Solomonin, shërbëtorin tënd. A mos e ka dhënë këtë urdhër imzot, mbreti im, pa i bërë me dije shërbëtorit të tij, se kush do të ulet pas tij në fronin e timzoti, mbretit tim?». Atëherë mbreti David tha: «Thirreni Batshebën të vijë tek unë». Batsheba shkoi te mbreti e qëndroi para tij. Mbreti u betua e tha: «Pasha Zotin, që më ka shpëtuar jetën nga çdo fatkeqësi, sot do të bëj ashtu siç të jam betuar para Zotit, Perëndisë së Izraelit, kur të kam thënë se Solomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe se ai do të ulet në fronin tim». Batsheba u përkul deri në tokë para mbretit e tha: «Rroftë përjetë imzot, mbreti im Davidi!». Pastaj mbreti David tha: «Thirrni priftin Cadok, profetin Natan dhe Benajahun, birin e Jehojadait». Ata erdhën e u paraqitën para mbretit. Mbreti u tha: «Merrni shërbëtorët e zotërisë suaj, hipni Solomonin, birin tim, mbi mushkën time e çojeni në Gihon. Atje, prifti Cadok dhe profeti Natan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj bjeruni borive e brohoritni: “Rroftë mbreti Solomon!”. Mandej ejani këtu pas tij e ai do të ulet në fronin tim. Ai do të mbretërojë në vendin tim, sepse atë kam caktuar për të sunduar në Izrael dhe në Judë». Benajahu, biri i Jehojadait, iu përgjigj mbretit e i tha: «Amen! Ashtu e bëftë Zoti, Perëndia i timzoti, mbretit! Siç ka qenë Zoti me timzot, mbretin, ashtu qoftë edhe me Solomonin. Fronin e tij e bëftë më të madhërishëm se fronin i timzoti, mbretit David!». Atëherë prifti Cadok, profeti Natan dhe Benajahu, biri i Jehojadait, u nisën bashkë me keretitët dhe peletitët. E hipën Solomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e sollën në Gihon. Prifti Cadok mori bririn e vajit nga Tenda dhe vajosi Solomonin. Atëherë u ranë brirëve të dashit e populli brohoriti: «Rroftë mbreti Solomon!». Mbarë populli shkoi pas mbretit Solomon, duke u rënë fyejve e duke ngazëlluar aq shumë, saqë u trand toka prej brohoritjeve të tyre. Adonjahu dhe të gjithë të ftuarit e tij i dëgjuan brohoritjet teksa po mbaronin gostinë. Kur dëgjoi jehonën e brirëve të dashit, Joabi pyeti: «Përse gjithë kjo zhurmë në qytet?». Ai ende po fliste, kur ia behu Jonatani, biri i priftit Abiatar. Adonjahu i tha: «Eja, sepse ti je burrë trim e sjell lajme të mira». Jonatani iu përgjigj: «Aspak! Zotëria ynë, mbreti David, bëri mbret Solomonin. Bashkë me të, mbreti David dërgoi priftin Cadok, profetin Natan, Benajahun, birin e Jehojadait, keretitët dhe peletitët. Ata e vunë Solomonin të kalëronte mbi mushkën e mbretit dhe prifti Cadok, bashkë me profetin Natan, e vajosën mbret në Gihon. Tani po kthehen prej Gihonit të ngazëlluar dhe tërë qyteti oshtin nga zhurma që dëgjoni. Për më tepër, Solomoni është ulur në fronin e mbretërisë. Po ashtu, ata që janë në shërbim të mbretit shkuan para zotërisë sonë, mbretit David, për ta uruar e i thanë: “Perëndia yt e bëftë emrin e Solomonit më të madhërishëm se emri yt dhe fronin e tij më të fortë se fronin tënd”. Pastaj mbreti David u përkul mbi shtratin e vet e tha: “Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, i cili vuri dikë mbi fronin tim e më lejoi ta shoh me sytë e mi”». Të ftuarit e Adonjahut u ngritën të tmerruar e shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Adonjahu shkoi e u kap pas brirëve të altarit nga frika e Solomonit. Solomonin e lajmëruan e i thanë: «Adonjahu, nga frika e mbretit Solomon, është kapur pas brirëve të altarit e thotë: “Të më betohet sot mbreti Solomon se nuk do ta vrasë me shpatë shërbëtorin e tij”». Solomoni u përgjigj: «Nëse tregohet njeri i ndershëm, nuk ka për t'iu prekur asnjë qime floku, por nëse i gjendet ndonjë ligësi, ka për të vdekur». Mbreti Solomon dërgoi disa njerëz që ta merrnin nga altari. Adonjahu erdhi e u përkul para mbretit Solomon. Mbreti Solomon i tha: «Shko në shtëpi». Kur po i afrohej dita e vdekjes, Davidi thirri Solomonin, birin e tij, e i tha: «Unë po shkoj, siç shkon çdo gjë mbi tokë. Ji i fortë e bëhu burrë! Zbato urdhrat që të ka dhënë Zoti, Perëndia yt, dhe ec udhëve të tij. Mbaj rregullat, urdhërimet, vendimet dhe dëshmitë e tij, ashtu siç janë shkruar në ligjin e Moisiut, që të të shkojë mbarë çfarëdo që të bësh e kudo që të shkosh. Kështu, Zoti do ta përmbushë premtimin që më bëri kur tha: “Nëse pasardhësit e tu kujdesen që të ecin në praninë time, duke më qëndruar besnikë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”. Për më tepër, ti e di ç'më bëri Joabi, biri i Cerujahut, e ç'u bëri dy krerëve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasait, birit të Jeterit. I vrau, duke derdhur gjak në kohë paqeje, si të ishte kohë lufte. Ai ka njollosur me gjak lufte brezin që ngjesh në ijë dhe sandalet që mbath në këmbë. Vepro me urti e mos lejo që ai të zbresë i qetë në skëterrë, kur t'i jenë zbardhur flokët. Por me bijtë e Barzilait tregohu i mirë dhe ftoji të hanë në tryezën tënde, se ata m'u gjendën pranë kur mora arratinë për t'i shpëtuar vëllait tënd, Absalomit. Ka mbetur edhe Shimei, biri i Gerait, benjaminasi nga Bahurimi. Ai është pranë teje, por ka thënë një mallkim të rëndë kundër meje, ditën që po shkoja në Mahanaim. Erdhi e më takoi në Jordan dhe unë iu betova para Zotit se nuk do ta vrisja me shpatë. Por mos e lë pa e ndëshkuar, sepse ti je burrë i urtë dhe e di vetë si duhet të veprosh me të. Plandose në skëterrë me thinjat tërë gjak». Davidi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Ai mbretëroi dyzet vjet në Izrael, shtatë në Hebron dhe tridhjetë e tre në Jerusalem. Mbi fronin e Davidit u ul biri i tij, Solomoni, dhe mbretërimi i tij u forcua shumë. Një ditë, Adonjahu, biri i Hagitës, shkoi te Batsheba, nëna e Solomonit, e ajo e pyeti: «Vjen me qëllime paqësore?». Ai iu përgjigj: «Po, vij me qëllime paqësore». Dhe shtoi: «Kam diçka për të të thënë». Ajo i tha: «Fol». Ai i tha: «Ti e di se mbretëria më takonte mua dhe se mbarë Izraeli priste që të bëhesha unë mbret. E megjithatë m'u hoq mua e iu dha tim vëllai, sepse kështu ishte vullneti i Zotit. Tani kam vetëm një kërkesë. Mos ma hidh poshtë, të lutem». Ajo i tha: «Fol». Adonjahu i tha: «Fol, të lutem, me mbretin Solomon, se ai ta dëgjon fjalën, që të më japë për grua Abishagën, shunamiten». Batsheba i tha: «Mirë, do t'i flas mbretit për ty». Atëherë Batsheba shkoi për të folur me mbretin Solomon për Adonjahun. Mbreti u ngrit në këmbë për të pritur të ëmën, u përkul para saj dhe u ul mbi fronin e vet. Urdhëroi të vendosnin edhe një fron tjetër për nënën e mbretit dhe ajo u ul në të djathtë të tij. Batsheba i tha: «Kam vetëm një kërkesë të vogël, ma plotëso». Mbreti i tha: «Thuaje kërkesën, o nëna ime, se do të ta plotësoj». Ajo i tha: «Jepja për grua Adonjahut, vëllait tënd, Abishagën, shunamiten». Mbreti Solomon iu përgjigj së ëmës: «Përse ma kërkon Abishagën, shunamiten, për Adonjahun? Kërko për të edhe mbretërinë atëherë, sepse ai është vëllai im i madh dhe ka përkrahjen e priftit Abiatar dhe të Joabit, birit të Cerujahut». Atëherë mbreti Solomon u betua për Zotin: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, nëse këtë nuk e ka kërkuar vetë Adonjahu, në dëm të jetës së tij. Pasha Zotin, që më forcoi, që më uli mbi fronin e atit tim, Davidit, e që ia premtoi fronin shtëpisë sime, sot Adonjahu do të vritet». Mbreti Solomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për të vrarë Adonjahun. Benajahu e goditi dhe Adonjahu vdiq. Mbreti i tha priftit Abiatar: «Shko në Anatot, tek arat e tua. Ndonëse e meriton vdekjen, nuk po të vras sot, sepse ke mbartur arkën e Zotit në praninë e atit tim, Davidit, dhe ke kaluar të gjitha vështirësitë që kaloi edhe im atë». Solomoni e përjashtoi Abiatarin prej priftërisë së Zotit, që të përmbushej fjala e thënë prej Zotit për shtëpinë e Eliut në Shiloh. Lajmi i shkoi edhe Joabit. Joabi, megjithëse nuk kishte mbajtur anën e Absalomit, kishte përkrahur Adonjahun, prandaj shkoi të strehohej në tendën e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit. Kur mbretit Solomon i thanë se Joabi ishte strehuar në tendën e Zotit dhe ndodhej tek altari, ai dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për ta vrarë Joabin. Benajahu shkoi te tenda e Zotit e i tha Joabit: «Me urdhër të mbretit, dil jashtë!». Joabi i tha: «Jo, dua të vdes këtu». Benajahu i çoi fjalë mbretit e i tha: «Kështu tha Joabi e kështu m'u përgjigj». Atëherë mbreti i tha: «Bëj siç të tha: vrite në vend e varrose. Kështu do ta heqësh prej meje e prej shtëpisë së atit tim gjakun e pafajshëm që derdhi Joabi. Zoti le t'ia hedhë mbi kokë Joabit gjakun e Abnerit, birit të Nerit, prijësit të ushtrisë së Izraelit dhe të Amasait, birit të Jeterit, prijësit të ushtrisë së Judës. Të dy ishin njerëz të pafajshëm e më të mirë se ai, por ai i vrau me shpatë, pa dijeninë e tim eti, Davidit. Gjaku i tyre rëntë në amshim mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij, ndërsa mbi Davidin, mbi pasardhësit, mbi shtëpinë dhe fronin e tij, qoftë gjithmonë paqja e Zotit!». Atëherë Benajahu, biri i Jehojadait, shkoi, e goditi dhe e vrau. Joabin e varrosën në shtëpinë e vet në shkretëtirë. Në vend të Joabit, mbreti caktoi si prijës të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadait. Në vend të Abiatarit, mbreti vuri priftin Cadok. Mbreti dërgoi lajmëtarë për të thirrur Shimein e i tha: «Ndërto një shtëpi në Jerusalem ku të banosh e mos dil më nga qyteti për të shkuar ndokund. Ditën që do të dalësh nga qyteti e do të kalosh përroin e Kidronit, dije mirë se ke për të vdekur dhe se gjaku yt do të bjerë mbi vetë kokën tënde». Shimei i tha mbretit: «Mirë, shërbëtori yt do të bëjë siç tha imzot mbreti». Shimei banoi për një kohë të gjatë në Jerusalem. Pas tre vjetësh, dy nga shërbëtorët e Shimeit u arratisën e shkuan tek Akishi, biri i Makahut, mbreti i Gatit. Shimeit i thanë se shërbëtorët e tij ishin në Gat. Atëherë Shimei u ngrit, shaloi gomarin e shkoi në Gat tek Akishi për të kërkuar shërbëtorët e tij dhe për t'i marrë pas. Solomonin e njoftuan se Shimei kishte shkuar nga Jerusalemi në Gat e ishte kthyer. Mbreti dërgoi disa njerëz për ta thirrur Shimein e i tha: «A nuk të vura të betoheshe për Zotin dhe a nuk të paralajmërova e të bëra me dije se ditën që do të shkoje ndokund, kishe për të vdekur, e ti më the “mirë”? Përse, pra, nuk e mbajte betimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të dhashë?». Pastaj mbreti i tha Shimeit: «Ti i di e i mban mend mirë gjithë të këqijat që i ke bërë Davidit, atit tim. Tani Zoti do të ta kthejë të keqen që ke bërë. Mbreti Solomon ka për të qenë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i palëkundur në amshim para Zotit ». Mandej mbreti i dha urdhër Benajahut, birit të Jehojadait, që ta vriste Shimein. Benajahu e goditi dhe Shimei vdiq. Kështu, mbretërimi i Solomonit u bë i fortë. Solomoni lidhi krushqi me faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe u martua me bijën e tij. Gruan e solli në qytetin e Davidit, derisa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e vet, tempullin e Zotit dhe muret rrethuese të Jerusalemit. Në atë kohë populli i kushtonte flijimet nëpër faltore në vende të larta, sepse tempulli për nder të emrit të Zotit nuk ishte ndërtuar ende. Solomoni e donte Zotin dhe jetonte sipas porosive që i kishte lënë i ati, Davidi. Por edhe ai kushtonte flijime e digjte temjan nëpër faltore në vende të larta. Kështu, Solomoni shkoi në Gibeon për të kushtuar flijime, sepse atje ishte faltorja më e rëndësishme në vende të larta. Mbi atë altar Solomoni kushtoi një mijë fli shkrumbimi. Në Gibeon, Zoti iu shfaq Solomonit në ëndërr natën dhe e pyeti: «Kërko ç'të duash e unë do të ta jap». Solomoni i tha: «Ti ke treguar mirësi të madhe me shërbëtorin tënd, Davidin, atin tim, sepse ai jetoi në praninë tënde me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të ndershme ndaj teje. Ti i qëndrove besnik kësaj mirësisë sate të madhe dhe i dhe një bir, që të ulet në fronin e tij, siç ndodh sot. E tani, o Zot, Perëndia im, ti më ke bërë mbret në vend të Davidit, atit tim, megjithëse unë jam veçse një djalosh i ri dhe nuk di si të mbretëroj. Shërbëtori yt gjendet mes popullit tënd të zgjedhur, mes një populli aq të madh, sa nuk mund të numërohet. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të urtë, që të mund ta udhëheqë popullin tënd dhe të dijë të dallojë të mirën nga e keqja, sepse kush mund ta udhëheqë popullin tënd kaq të madh?». Zotit i pëlqeu kërkesa që bëri Solomoni. Atëherë Perëndia i tha: «Meqë kërkove këtë gjë dhe nuk më kërkove as jetë të gjatë, as pasuri e as vdekjen e armiqve të tu, por dije për të udhëhequr, ja, po bëj siç më kërkove dhe po të jap një zemër me aq urti e dije, saqë nuk e ka pasur askush para teje e nuk do ta ketë askush pas teje. Po të jap edhe çka nuk kërkove: pasuri e lavdi. Kështu, gjatë gjithë jetës sate, nuk do të ketë mbret të ngjashëm me ty. E nëse do të ecësh udhëve të mia, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri ati yt, Davidi, do të të jap jetë të gjatë». Atëherë Solomoni u zgjua dhe pa se kishte qenë në ëndërr. Mandej u kthye në Jerusalem, shkoi para arkës së besëlidhjes së Zotit, kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi dhe shtroi një gosti për të gjithë shërbëtorët e tij. Një ditë, para mbretit shkuan e u paraqitën dy lavire. Njëra nga gratë tha: «Me leje, imzot. Unë dhe kjo grua jetojmë në të njëjtën shtëpi. Mua më lindi një fëmijë, kur ishte edhe kjo në shtëpi. Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua. Banonim bashkë dhe në shtëpi nuk kishte njeri tjetër, përveç ne të dyjave. Një natë fëmija i saj vdiq, sepse atë e kishte zënë gjumi mbi fëmijën. Ajo u ngrit në mes të natës, ma mori djalin nga gjiri, teksa unë flija, dhe e çoi në shtratin e vet, ndërsa mua më vuri në gji djalin e saj të vdekur. Kur u ngrita në mëngjes për t'i dhënë gji djalit, pashë se kishte vdekur. Pastaj e këqyra me kujdes në dritë dhe pashë se nuk ishte djali që kisha lindur unë». Gruaja tjetër tha: «Jo, fëmija i gjallë është djali im, ndërsa djali yt ka vdekur». Tjetra iu përgjigj: «Jo, djali yt ka vdekur, e djali im jeton». E kështu grindeshin para mbretit. Atëherë mbreti tha: «Njëra thotë: “Djali im është gjallë, ndërsa djali yt ka vdekur”, tjetra i përgjigjet: “Jo, ka vdekur djali yt. Gjallë është djali im”». Pastaj mbreti tha: «Më sillni një shpatë». Kur i sollën shpatën, tha: «Ndajeni foshnjën e gjallë më dysh dhe jepjani gjysmën njërës e gjysmën tjetrës». Por gruas, djali i së cilës ishte gjallë, iu dhimbs shumë fëmija, prandaj i tha mbretit: «Të lutem, imzot, jepjani asaj foshnjën e gjallë. Mos e vrisni». Ndërsa gruaja tjetër tha: «Të mos jetë as i imi, as i yti. Ndajeni!». Atëherë mbreti u përgjigj e tha: «Jepjani gruas së parë fëmijën e mos e vrisni. Ajo është nëna e foshnjës». Mbarë Izraeli mori vesh për gjykimin e mbretit dhe pati nderim për të, sepse panë se mbreti kishte urtinë e Perëndisë për të bërë drejtësi. Mbreti Solomon mbretëronte mbi mbarë Izraelin. Zyrtarët e lartë të mbretërisë së tij ishin Azarjahu, biri i Cadokut, prift; Elihorefi e Ahijahu, të bijtë e Shishait, shkrues; Joshafati, biri i Ahiludit, shkresar; Benajahu, biri i Jehojadait, kreu i ushtrisë; Cadoku dhe Abiatari, priftërinj; Azarjahu, biri i Natanit, kreu i qeveritarëve; Zabudi, biri i Natanit, prift dhe mik i mbretit; dhe Ahishari, mbikëqyrësi i oborrit mbretëror dhe Adonirami, biri i Abdait, mbikëqyrësi i punës së detyruar. Solomoni kishte dymbëdhjetë qeveritarë, në të gjithë Izraelin, që kujdeseshin për mbretin dhe për shtëpinë e tij. Secili prej tyre, sipas radhës, i dërgonte mbretit çfarë i nevojitej për çdo muaj. Emrat e tyre ishin këta: Ben Huri në malësinë e Efraimit; Ben Dekeri në Makac, Shalbim, Bet Shemesh dhe Ejlon Bet Hanan; Ben Hesedi në Arubot, të cilit i takonte edhe Sokohu bashkë me mbarë vendin e Heferit; Ben Abinadabi, i cili ishte martuar me bijën e Solomonit, në gjithë krahinën kodrinore të Dorit; Banahu, biri i Ahiludit, në Tanak, Megido, në mbarë krahinën e Bet Sheanit, që ndodhej poshtë Cartanit, në jug të Izrelit, nga Bet Sheani, deri në Abel Meholah e deri përtej Jokmeamit; Bengeberi në Ramot të Gileadit, të cilit i takonin edhe fshatrat e Jairit, birit të Manaseut, që ndodhen në Gilead, bashkë me krahinën e Argobit në Bashan, gjithsej gjashtëdhjetë qytete të mëdha, të rrethuara me mure dhe me porta me shula bronzi; Ahinadabi, biri i Idoit, në Mahanaim; Ahimaci në Neftali, edhe ai i martuar me një nga bijat e Solomonit, Basematën; Banahu, biri i Hushait, në Asher dhe Bealot; Joshafati, biri i Paruahut, në Isahar; Shimei, biri i Elait, në Benjamin; dhe Geberi, biri i Uriut, në tokën e Gileadit, në tokën e Sihonit, mbretit të amoritëve, dhe Ogut, mbretit të Bashanit. Kishte edhe një qeveritar në vendin e Judës. Banorët e Judës e të Izraelit ishin të shumtë sa rëra e detit. Ata hanin e pinin e jetonin të lumtur. Solomoni sundoi mbi të gjitha mbretëritë nga lumi i Eufratit deri në tokën e filistinëve e deri në kufijtë e Egjiptit. Këta popuj i paguan tagra Solomonit dhe i shërbyen sa qe gjallë. Sasia e ushqimit që Solomoni shpenzonte në ditë ishte nëntë tonë majë mielli dhe tetëmbëdhjetë tonë miell, dhjetë qe të majmë, njëzet qe kullotash, njëqind dele, pa përfshirë drerët, gazelat, kaprojtë e shpendët e majme. Solomoni sundonte, pra, të gjithë vendin në këtë anë të lumit Eufrat, nga Tifsahu deri në Gazë, dhe të gjithë mbretërit këtej lumit. Ai jetonte në paqe me të gjithë popujt përreth. Gjatë gjithë jetës së Solomonit, banorët e Judës dhe të Izraelit, nga Dani deri në Bershebë, jetonin të qetë, mes vreshtave e fiqve. Solomoni zotëronte dyzet stalla kuajsh për karrocat e luftës dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Qeveritarët, secili në muajin e caktuar, i siguronin mbretit Solomon të gjitha ushqimet, që i nevojiteshin atij dhe të gjithë atyre që hanin me të në tryezë. Po ashtu, secili prej tyre siguronte elb e kashtë për kuajt e mushkat dhe e çonte në vendin e caktuar për to. Perëndia i dha Solomonit shumë urti e dije dhe një zemër të madhe sa rëra e bregut të detit. Urtia e Solomonit e tejkalonte urtinë e të gjithë popujve të lindjes e të mbarë Egjiptit. Urtia e tij ia kalonte çdo njeriu, ia kalonte Etan Ezrahitit, Hemanit dhe Kalkolit e Dardait, bijve të Maholit. Emri i tij ishte i njohur mes gjithë popujve përreth. Ai tha tre mijë fjalë të urta dhe thuri një mijë e pesë këngë. Foli për pemët, që nga cedrat e Libanit e deri te hisopi që mbin mureve, për kafshët, për shpendët, për zvarranikët e për peshqit. Njerëz nga të gjithë popujt vinin për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Vinin dërgata nga të gjithë mbretërit e tokës që kishin dëgjuar për urtinë e tij. Hirami, mbreti i Tirit, dërgoi disa shërbëtorë te Solomoni, sepse kishte dëgjuar se Solomonin e kishin vajosur mbret në vend të atit të tij, Davidit. Hirami e kishte dashur fort Davidin. Edhe Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit e i tha: «Ti e di se ati im, Davidi, nuk mundi të ndërtonte një tempull për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së tij, për shkak të luftrave që e rrethuan, derisa Zoti ia vuri armiqtë nën këmbë. Tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe nga të gjitha anët e nuk kam as kundërshtarë e as ndonjë kërcënim. Prandaj dua të ndërtoj një tempull për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tim, sipas premtimit që Zoti i bëri Davidit, atit tim, kur i tha: “Biri yt, ai që do të caktoj unë për t'u ulur mbi fronin tënd, ai do ta ndërtojë tempullin për nder të emrit tim”. Prandaj jepu urdhër druvarëve të tu, që të presin cedra Libani për mua, sepse ti e di se ne nuk kemi druvarë me përvojë, siç janë sidonasit. Shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me të tutë dhe unë do t'i paguaj si të thuash ti». Hirami, kur dëgjoi fjalët e Solomonit, u gëzua shumë e tha: «Bekuar qoftë sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një djalë të urtë për të sunduar këtë popull të madh». Pastaj Hirami i dërgoi fjalë Solomonit e i tha: «U njoftova për kërkesat e tua dhe do të të jap të gjithë drurin e cedrit dhe të qiparisit që dëshiron. Shërbëtorët e mi do t'i zbresin drurët nga Libani në det dhe do t'i lidhin bashkë që të lundrojnë në det, deri në vendin që do të caktosh ti. Atje do t'i zgjidhin e do t'i marrësh ti. Si pagesë dëshiroj të më sigurosh ushqime për shtëpinë time». Kështu, Hirami i dha Solomonit të gjithë drurin e cedrit dhe të qiparisit që i nevojitej, ndërsa Solomoni i dha Hiramit gjashtë mijë tonë grurë si ushqim për shtëpinë e tij dhe tetë mijë litra vaj të pastër. Kaq qe sasia që Solomoni i jepte Hiramit në vit. Zoti i dha urti Solomonit, ashtu siç i kishte premtuar. Hirami dhe Solomoni jetuan në paqe dhe bënë besëlidhje me njëri-tjetrin. Mbreti Solomon vendosi punën e detyruar për mbarë Izraelin dhe për të punuar u morën tridhjetë mijë burra. Çdo muaj ai dërgonte në Liban nga dhjetë mijë burra. Ata punonin me ndërresa dhe ishin një muaj në Liban e dy muaj në shtëpi. Përgjegjës për punën e detyruar ishte Adonirami. Solomoni kishte edhe shtatëdhjetë mijë punëtorë ngarkim-shkarkimi dhe tetëdhjetë mijë gurgdhendës në mal, pa llogaritur tre mijë e treqind përgjegjësit që mbikëqyrnin punën dhe punëtorët. Mbreti urdhëroi të nxirreshin e të latoheshin gurë të mëdhenj e të zgjedhur, për të ndërtuar themelet e tempullit. Kështu, ndërtuesit e Solomonit dhe të Hiramit, bashkë me gibelitët, latuan gurët dhe përgatitën drurët për ndërtimin e tempullit. Në vitin e katërqind e tetëmbëdhjetë pas daljes së Izraelit nga vendi i Egjiptit, në muajin e dytë të vitit të katërt të mbretërimit të Solomonit në Izrael, në muajin Ziv, Solomoni filloi ndërtimin e tempullit të Zotit. Tempulli që mbreti Solomon ndërtoi për Zotin ishte tridhjetë metra i gjatë, dhjetë metra i gjerë dhe pesëmbëdhjetë metra i lartë. Portiku në ballinën e anijatës së tempullit ishte dhjetë metra i gjerë, aq sa ishte edhe gjerësia e tempullit, dhe dilte pesë metra nga ballina e tempullit. Në tempull Solomoni vuri dritare me korniza e me rrjeta hekuri. Ngjitur me murin e jashtëm të tempullit, që rrethonte anijatën dhe shenjtëroren, ai ndërtoi dhoma anësore me kate. Kati i poshtëm i dhomave anësore ishte dy metra e gjysmë i gjerë, kati i mesëm tre metra dhe kati i tretë tre metra e gjysmë, sepse murin e jashtëm të tempullit e kishte bërë me dalje si shkallare, në mënyrë që trarët të mos hynin brenda në mur. Tempulli u ndërtua me gurë të latuar që në gurore, kështu që gjatë ndërtimit të tij, nuk u dëgjua as çekiç, as sëpatë e as ndonjë vegël tjetër hekuri. Hyrja për në katin e poshtëm ishte në anën e djathtë të tempullit. Me anë të shkallëve rrethore ngjiteshe në katin e mesëm dhe nga kati i mesëm në katin e tretë. Kur mbaroi ndërtimi i mureve, Solomoni e mbuloi tempullin me trarë e me dërrasa cedri. U ndërtuan edhe dhomat anësore përreth tempullit. Çdo kat ishte dy metra e gjysmë i lartë dhe lidhej me tempullin me trarë cedri. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Solomonit: «Ti po e ndërton këtë tempull. Nëse ecën sipas rregullave të mia, nëse zbaton vendimet e mia dhe nëse ruan të gjitha urdhërimet e mia dhe i ndjek ato, atëherë do ta përmbush për ty premtimin që i bëra Davidit, atit tënd, se do të banoj mes izraelitëve dhe se nuk do ta braktis kurrë popullin tim Izraelin». Pasi Solomoni ndërtoi ngrehinën e tempullit, i veshi muret e tij me dru cedri, prej dyshemesë deri në tavan. Edhe tavanin e veshi me dru cedri, ndërsa dyshemenë e shtroi me dërrasa qiparisi. Në pjesën e pasme të tempullit, ai ndërtoi një ndarje dhjetë metra të gjatë dhe e veshi me dru cedri, nga dyshemeja në tavan. Kjo ndarje ishte shenjtërorja dhe quhej shenjtërorja e shenjtëroreve. Pjesa tjetër e tempullit, anijata, që ndodhej përpara shenjtërores, ishte njëzet metra e gjatë. Drurët e cedrit, që vishnin muret e brendshme të tempullit, ishin të gdhendur me trajta kungujsh dhe gonxhe lulesh të çelura. Gjithçka ishte e veshur me dru cedri dhe nuk dukej asnjë gur. Shenjtëroren, që ishte në pjesën e brendshme të tempullit, Solomoni e bëri gati për të vendosur arkën e besëlidhjes së Zotit. Shenjtërorja ishte dhjetë metra e gjatë, dhjetë metra e gjerë e dhjetë metra e lartë. Solomoni e veshi të tërën me ar të pastër, ndërsa altarin e punoi me dru cedri. Pjesën e brendshme të tempullit e veshi me ar të pastër dhe vuri vargonj ari përpara shenjtërores së veshur po me ar. Kështu, Solomoni e veshi të gjithë tempullin me ar. Edhe altarin, që ishte brenda në shenjtërore, e veshi po me ar. Brenda shenjtërores Solomoni punoi dy kerubë prej druri ulliri, pesë metra të lartë. Të dy krahët e kerubit ishin nga dy metra e gjysmë. Largësia nga maja e njërit krah deri te maja e krahut tjetër ishte pesë metra. Edhe kerubi i dytë kishte largësi pesë metra. Të dy kerubët kishin të njëjtat përmasa dhe të njëjtën trajtë. Lartësia e njërit kerub ishte pesë metra dhe po aq ishte edhe lartësia e tjetrit. Kerubët i vendosi në mes të dhomës së brendshme të tempullit. Kerubët i kishin krahët të hapur. Kështu, njëri krah i njërit kerub prekte njërën anë të murit dhe krahu i kerubit tjetër prekte anën tjetër të murit. Dy krahët e tjerë të kerubëve puqeshin në mes të tempullit. Solomoni i veshi kerubët me ar. Në të gjitha muret e tempullit, brenda e jashtë, ai gdhendi pamje kerubësh, palmash dhe gonxhesh të çelura. Edhe dyshemenë e tempullit e veshi me ar, si brenda, dhe jashtë. Derën e shenjtërores e bëri me dy kanate druri ulliri. Arkitrau dhe shtalkat kishin trajtën e një pesëkëndëshi. Mbi dy kanatet e derës ai gdhendi pamje kerubësh, palmash e gonxhesh të çelura, i veshi me ar e u dha trajtën e kerubëve dhe të palmave. Të njëjtën gjë bëri edhe me hyrjen e tempullit. Shtalkat i bëri me dru ulliri dhe në trajtë katërkëndëshe. Dy kanatet i bëri me dru qiparisi. Çdo kanat kishte nga dy pjesë që paloseshin. Mbi to gdhendi kerubë, palma e gonxhe të çelura dhe gdhendjet i veshi me ar në mënyrë të njëtrajtshme. Pastaj ndërtoi tremen e brendshme me tre rreshta gurësh të latuar e një rresht trarësh cedri. Themelet e tempullit të Zotit u hodhën në muajin Ziv të vitit të katërt, ndërsa në muajin Bul, që është muaji i tetë, të vitit të njëmbëdhjetë, mbaroi ndërtimi i tempullit dhe i gjithë pjesëve të tij, ashtu siç ishte menduar. Solomoni e ndërtoi tempullin për shtatë vjet. Solomoni ndërtoi edhe pallatin e tij mbretëror. Të gjitha ndërtesat e pallatit përfunduan pas trembëdhjetë vjetësh. Ai ndërtoi shtëpinë «Pylli i Libanit» që ishte pesëdhjetë metra e gjatë, njëzet e pesë metra e gjerë dhe pesëmbëdhjetë metra e lartë. Ndërtesa ishte mbi katër rreshta shtyllash cedri e mbi shtylla kishte trarë cedri. Edhe çatia ishte punuar me dru cedri. Ajo mbështetej mbi dyzet e pesë trarë të ndarë në tri rreshta me nga pesëmbëdhjetë trarë. Ndërtesa kishte tri radhë dritaresh me nga tri dritare që përkonin me njëra-tjetrën. Të gjitha dyert dhe shtalkat ishin katërkëndëshe, siç ishin edhe dritaret, që përkonin me njëra-tjetrën në tri radhë. Solomoni ndërtoi edhe Portikun e Shtyllave që ishte njëzet e pesë metra i gjatë dhe pesëmbëdhjetë metra i gjerë. Përpara portikut ndërtoi një treme me shtylla dhe me çati të dalë. Ndërtoi edhe Portikun e Fronit, ku Solomoni mbante gjyqet, prandaj quhej edhe Portiku i Gjyqit. Portiku ishte i veshur me dru cedri nga cepi në cep. Ndërtesa, ku banonte vetë mbreti, kishte një treme tjetër të brendshme, pas portikut, dhe ishte e ndërtuar në të njëjtën mënyrë. Solomoni ndërtoi një shtëpi më vete për bijën e faraonit që kishte marrë për grua. Kjo u ndërtua njësoj si portiku. Të gjitha këto ndërtesa ishin me gurë të zgjedhur, nga themelet në çati, deri në tremen e madhe. Gurët ishin të prerë sipas masës që duhej dhe të latuar brenda e jashtë. Themelet ishin ndërtuar me gurë të zgjedhur e të mëdhenj, katër ose pesë metra të gjatë. Mbi ta ishin vendosur gurë të zgjedhur e të latuar sipas masës dhe drurë cedri. Tremja e madhe kishte rreth e rrotull tri radhë gurësh të zgjedhur dhe një radhë trarësh cedri. Tremja i ngjante pjesës së brendshme të tremes së tempullit të Zotit dhe portikut të pallatit mbretëror. Solomoni dërgoi disa njerëz që të sillnin Hiramin nga Tiri, birin e një vejushe nga fisi i Neftaliut dhe të një tirasi. Hirami ishte mjeshtër bronzi dhe kishte aftësinë, zotësinë dhe mjeshtërinë për të bërë çdo lloj pune në bronz. Ai erdhi te mbreti Solomon dhe bëri të gjitha punët që i kërkoi mbreti. Hirami derdhi dy shtylla bronzi nga nëntë metra të larta dhe me perimetër gjashtë metra të gjera. Bëri edhe dy krytha me bronz të derdhur për t'i vënë mbi majat e shtyllave. Të dyja krythat ishin nga dy metra e gjysmë. Pastaj bëri për krythat, që ndodheshin në majë të shtyllave, nga shtatë rrjeta thurur me thekë të gërshetuar. Bëri edhe zbukurime me vargje shegësh, të cilat i vuri mbi rrjetat e thurura, për të mbuluar secilin nga dy krythat, që ndodheshin në majë të shtyllave. Krythat që ishin në majë të shtyllave të portikut kishin trajtën e zambakut dhe ishin nga dy metra të larta. Te krythat, që ndodheshin në majë të dy shtyllave, në pjesën e mysët afër rrjetave të thurura, ishin varur dyqind shegë në vargje, që rrethonin të dyja krythat. Hirami i vendosi shtyllat në portikun e tempullit. Njërën shtyllë e vuri djathtas dhe e quajti Jakin, ndërsa shtyllën tjetër e vuri majtas dhe e quajti Boaz. Në majë të shtyllave kishte punime zambaku. Kështu përfundoi ndërtimi i shtyllave. Hirami punoi edhe një det prej metali të shkrirë që kishte trajtë rrethore me gjerësi pesë metra nga buza në buzë. Thellësia e detit prej metali ishte dy metra e gjysmë, ndërsa perimetri i tij ishte pesëmbëdhjetë metra i gjatë. Nën buzët e detit të metaltë, përgjatë perimetrit, vareshin dy vargje kungujsh të derdhura njësh me detin, me nga njëzet kunguj për metër. Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë dema, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti mbështetej mbi kurrizin e demave që i kishin të pasmet të kthyera për nga brenda. Trashësia e detit ishte një pëllëmbë, ndërsa buzët e tij ishin si buzë kupe, në trajtë zambaku. Ai nxinte rreth tetëdhjetë mijë litra. Hirami punoi edhe dhjetë baza bronzi nga dy metra të gjata, nga dy metra të gjera dhe nga një metër e gjysmë të larta. Bazat ishin të ndërtuara me fletë bronzi që mbërtheheshin nëpër korniza. Mbi fletët e bronzit, që ishin të mbërthyera nëpër korniza, kishte zbukurime luanësh, qesh dhe kerubësh. Mbi korniza kishte një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve e qeve kishte zbukurime kurorash të varura. Çdo bazë kishte nga katër rrota bronzi, me boshte po prej bronzi, dhe katër këmbëza mbështetëse në të katër qoshet e poshtme të legenit që mbështetej mbi bazën. Këmbëzat ishin të derdhura e të zbukuruara me kurora. Në pjesën e sipërme të bazës kishte një grykë të rrumbullakët, të gjerë sa tri të katërtat e metrit e gjysmë metri të dalë. Gryka ishte zbukuruar me gdhendje, por fletët e saj anësore ishin katrore e jo të rrumbullakëta. Poshtë fletëve të bazës ishin katër rrotat dhe boshtet e tyre ishin mbërthyer te baza. Lartësia e çdo rrote ishte sa tri të katërtat e metrit. Këto ishin punuar si rrota qerresh dhe boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat i kishin të gjitha prej bronzi të derdhur. Katër mbështetëset, në katër qoshet e çdo baze në trajtë qerreje, ishin të shkrira njësh me bazën. Në pjesën e sipërme të çdo baze kishte një mbështetëse të rrumbullakët, të dalë sa një e katërta e metrit, mbajtëset dhe faqet e së cilës ishin një trup me bazën. Mbi faqet, kornizat dhe mbajtëset e saj ishin gdhendur kerubë, luanë e palma sipas hapësirave përkatëse, rreth e qark me vargje kurorash. Kështu i punoi Hirami të dhjeta bazat. Ato kishin të njëjtën derdhje, të njëjtat përmasa dhe të njëjtën trajtë. Hirami bëri edhe dhjetë legenë bronzi. Çdo legen nxinte rreth një mijë e gjashtëqind litra dhe ishte dy metra i lartë. Dhjetë legenët i vuri mbi dhjetë bazat në trajtë qerreje. Pesë baza i vendosi në anën e djathtë të tempullit e pesë në anën e majtë. Detin e vendosi në anën e djathtë të tempullit, në juglindje. Hirami punoi legenët, lopatëzat e kupat dhe kështu i mbaroi të gjitha punët që i kishte kërkuar mbreti Solomon për tempullin e Zotit. Ai bëri dy shtyllat me dalje të rrumbullakëta në majë, mbi të cilat u vendosën krythat, dhe dy rrjeta të thurura, për të mbuluar majën e shtyllave. Bëri edhe katërqind shegë për të dyja rrjetat e thurura. Secila rrjetë kishte nga dy rreshta shegësh, për të mbuluar daljet e rrumbullakëta për krythat, që ndodheshin mbi shtyllat. Punoi edhe dhjetë bazat për dhjetë legenët, që u vendosën mbi secilën bazë, detin me dymbëdhjetë qetë, që e mbartnin, rrethjet, lopatëzat dhe kupat. Të gjitha këto pajisje, që mbreti Solomon i kërkoi Hiramit për tempullin e Zotit, u punuan me bronz të pastër. Mbreti kishte urdhëruar që të gjitha pajisjet të derdheshin në tokën argjilore të luginës së Jordanit, midis Sukotit dhe Cartanit. Solomoni nuk i peshoi këto pajisje, sepse ishin aq shumë, sa nuk u llogaritej pesha. Solomoni bëri edhe të gjitha pajisjet e tjera për tempullin e Zotit: altarin prej ari, tryezën prej ari të paraqitjes së bukës, pesë shandanë prej ari të pastër në anën e djathtë dhe pesë shandanë prej ari të pastër në anën e majtë të hyrjes për në shenjtërore, gonxhet, llambat dhe mashat prej ari, legenët, thikat, kupat, rrethjet, mangallët prej ari të pastër, si edhe menteshat për dyert e shenjtërores së shenjtëroreve dhe për dyert e anijatës, po prej ari. Kështu, përfundoi e tërë puna e mbretit Solomon për ndërtimin e tempullit të Zotit. Solomoni i solli të gjitha sendet që kishte shenjtëruar për Zotin ati i tij, Davidi, argjendin dhe arin, e i vuri në thesarin e tempullit të Zotit. Atëherë mbreti Solomon mblodhi në Jerusalem pleqësinë e Izraelit, të gjithë krerët e fiseve dhe prijësit e popullit të Izraelit, për të mbartur arkën e besëlidhjes së Zotit nga qyteti i Davidit, që është Sioni. Në muajin Etanim, që është muaji i shtatë, të gjithë izraelitët u mblodhën pranë mbretit Solomon për të kremten. Kur u mblodh e gjithë pleqësia e Izraelit, priftërinjtë ngritën arkën. Arkën e Zotit, tendën e takimit dhe të gjitha pajisjet e shenjta, që ishin në tendë, i mbartën priftërinjtë dhe levitët. Mbreti Solomon e mbarë bashkësia e Izraelit, që ishte mbledhur pranë tij, para arkës, kushtuan aq shumë dele e qe, sa nuk i numëroje dot. Priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Zotit në vendin e saj brenda shenjtërores, në shenjtëroren e shenjtëroreve, dhe e vendosën nën krahët e kerubëve. Kerubët i shtrinin krahët mbi vendin ku rrinte arka dhe mbulonin arkën e shufrat e saj. Shufrat ishin të gjata dhe majat e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, që ndodhet përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë aty edhe sot e kësaj dite. Brenda në arkë ndodheshin vetëm dy pllakat prej guri, të cilat i kishte futur Moisiu në malin Horeb, atje ku Zoti kishte bërë besëlidhjen me izraelitët, pas daljes nga Egjipti. Kur priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, një re mbuloi tempullin e Zotit. Priftërinjtë nuk mund të qëndronin më në tempull e të kryenin shërbesën për shkak të resë, se tempullin e Zotit e kishte mbushur lavdia e Zotit. Atëherë Solomoni tha: «Ti, o Zot, ke thënë se dëshiron të banosh në errësirë të thellë, prandaj unë të ndërtova një tempull madhështor, një vend ku mund të banosh në amshim». Pastaj mbreti u kthye nga bashkësia e Izraelit dhe e bekoi. Mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte në këmbë. Solomoni tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që përmbushi me fuqinë e tij premtimin që i bëri me gojën e vet Davidit, atit tim, kur tha: “Që nga dita që e nxora Izraelin, popullin tim, nga Egjipti, nuk zgjodha asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një tempull për nder të emrit tim, por zgjodha Davidin për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin”. Davidi, ati im, e dëshironte me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Por Zoti i tha Davidit, atit tim: “Ti e dëshiron me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit tim dhe mirë bën, veçse, tempullin për nder të emrit tim, nuk do ta ndërtosh ti, por biri yt, që do të dalë prej ijëve të tua”. Zoti e plotësoi premtimin që bëri dhe, ashtu siç tha Zoti, në vend të Davidit, atit tim, në fronin e Izraelit u ula unë dhe ndërtova tempullin për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Aty caktova një vend për arkën, brenda së cilës ndodhet besëlidhja që bëri Zoti me paraardhësit tanë, kur i nxori nga toka e Egjiptit». Atëherë Solomoni qëndroi përpara altarit të Zotit në prani të mbarë bashkësisë së Izraelit, ngriti duart drejt qiellit, e tha: «O Zot, Perëndi i Izraelit, nuk ka tjetër perëndi si ti as lart në qiell e as poshtë në tokë, ti që i qëndron besnik besëlidhjes që ke bërë me shërbëtorët e tu, kur ata ecin para teje me gjithë zemër, ti që i mbajte premtimet që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Ato që premtove me gojën tënde, i përmbushe me dorën tënde, e ashtu po bën edhe sot. E tani, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim, kur i the: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit, vetëm nëse ata do të kenë kujdes të ecin para meje ashtu si ti”. Prandaj, o Perëndi i Izraelit, le të plotësohet premtimi që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Por, a mund të banosh vërtet mbi tokë, o Perëndi? Ja, ty nuk të nxënë as qiejt e qiejve e aq më pak ky tempull që ta ndërtova unë! Vëri, pra, vesh lutjes së shërbëtorit tënd e përgjërimit të tij, o Zot, Perëndia im! Dëgjoje thirrjen e lutjen që shërbëtori yt po të drejton sot! Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull natë e ditë, nga ky vend për të cilin the: “Aty do të jetë emri im!”. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! Dëgjoje përgjërimin e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet drejt këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena! Kur dikush mëkaton kundër të afërtit e i kërkohet të betohet për pafajësinë e tij dhe ai vjen për t'u betuar përpara altarit tënd në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, vepro dhe gjykoji shërbëtorët e tu. Dënoje të paudhin, që e keqja t'i bjerë mbi kokë vetë atij, shpalle të pafajshëm të pafajshmin dhe shpërbleje sipas drejtësisë së tij. Kur Izraeli, populli yt, të mposhtet para armikut, për shkak se do të ketë mëkatuar kundër teje, por më pas kthehet te ti, duke përlëvduar emrin tënd, duke t'u lutur e duke t'u përgjëruar në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, falja mëkatin e ktheje në vendin që u ke dhënë paraardhësve të tij. Kur të ndryhet qielli e të mos bjerë më shi, për shkak se izraelitët do të kenë mëkatuar kundër teje, por më pas luten drejt këtij vendi, duke përlëvduar emrin tënd e duke u penduar për mëkatet e tyre, për shkak të ndëshkimit tënd, dëgjoji prej qiellit e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, Izraelit, mësoju udhën e së mirës, nëpër të cilën duhet të ecin, dhe jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe për trashëgim popullit tënd. Nëse vendin e godet zia e bukës apo murtaja, nëse e ha vrugu, myku, karkaleci apo vemja, nëse e rrethon armiku nga të gjitha anët, nëse mbi të bien çfarëdolloj plagësh e sëmundjesh, dhe nëse çdo njeri apo mbarë populli yt, Izraeli, të lutet e të përgjërohet, duke lartësuar duart drejt këtij tempulli, për shkak të plagës që ka në zemër, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon, fal, vepro e jepi secilit sipas sjelljes së tij, se ti ia njeh zemrën dhe vetëm ti e njeh zemrën e çdo njeriu. Kështu, ty do të të druajnë të gjithë sa të jenë gjallë mbi tokën që u dhe paraardhësve të tyre. Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd, Izraelit, nëse vjen nga një vend i largët për hir të emrit tënd, që të lutet drejt këtij tempulli, për shkak se ka dëgjuar për emrin tënd të madhërishëm, për dorën tënde të fuqishme e për krahun tënd të gjithëpushtetshëm, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon dhe plotësoja të gjitha kërkesat që të bën. Kështu, të gjithë popujt e botës do ta njohin emrin tënd, do të të druajnë, siç të druan populli yt Izrael, dhe do ta dinë se emri yt thirret në këtë tempull që të ndërtova unë. Nëse populli yt del për të luftuar kundër armiqve, atje ku ta kesh urdhëruar, nëse të lutet ty, o Zot, duke u drejtuar nga qyteti që ke zgjedhur ti dhe nga tempulli që kam ndërtuar unë për nder të emrit tënd, dëgjoja lutjen dhe përgjërimin nga qielli e bëj që të ngadhënjejë e drejta e tij. Nëse mëkatojnë kundër teje, sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton, e ti, i zemëruar me ta, i dorëzon tek armiqtë, që i marrin robër e i degdisin në vende armike të largëta a të afërta, por nëse pendohen në vendin ku janë marrë robër, kthehen me gjithë zemër te ti e të përgjërohen duke thënë: “Kemi mëkatuar, kemi bërë ligësi e paudhësi”, nëse kthehen, pra, te ti, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, atje në vendin ku i kanë robëruar armiqtë, e të luten duke u drejtuar për nga vendi i paraardhësve të tyre, për nga qyteti yt i zgjedhur dhe për nga tempulli që kam ndërtuar për nder të emrit tënd, dëgjoji lutjet dhe përgjërimet e tyre prej qiellit, prej vendit ku banon, e bëj të ngadhënjejë e drejta e tyre. Falja popullit tënd, që ka mëkatuar kundër teje, të gjitha shkeljet që ka bërë kundër teje e bëj që armiqtë të tregohen të mëshirshëm e të kenë dhembshuri për të, sepse është populli yt dhe trashëgimia jote, janë ata që ti i nxore nga Egjipti, nga shkritorja e hekurit. Mbaji sytë hapur dhe dëgjoji përgjërimet dhe lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të thërrasin, o Zot, Perëndi, sepse ti i zgjodhe mes gjithë popujve të tokës për të qenë trashëgimia jote, ashtu siç the përmes Moisiut, shërbëtorit tënd, kur i nxore paraardhësit tanë nga Egjipti». Kur mbaroi së drejtuari Zotit të gjitha këto lutje e përgjërime, Solomoni u ngrit më këmbë para altarit të Zotit, ku ishte gjunjëzuar me duart e ngritura drejt qiellit, bekoi bashkësinë e Izraelit me zë të lartë e tha: «Bekuar qoftë Zoti që i dha prehje popullit të tij, Izraelit, ashtu siç kishte premtuar. Asnjë nga premtimet e mira, që bëri përmes Moisiut, shërbëtorit të tij, nuk mbeti pa u përmbushur. Zoti, Perëndia ynë, qoftë me ne, ashtu siç ka qenë me paraardhësit tanë. Mos na braktistë e mos na lëntë, por na i prirtë zemrat drejt tij, që të ecim në udhët e tij e që të mbajmë urdhërimet, rregullat e vendimet që ai u urdhëroi etërve tanë. Zoti, Perëndia ynë, i kujtoftë ditë e natë fjalët e përgjërimeve që bëra para Zotit, që e drejta e shërbëtorit të tij dhe e popullit të tij, Izraelit, të ngadhënjejë ditë pas dite. Kështu, të gjithë popujt e tokës do ta dinë se Zoti është Perëndia dhe se nuk ka tjetër. Zemra juaj iu përkushtoftë plotësisht Zotit, Perëndisë tonë, që të ecni sipas rregullave të tij e të mbani urdhërimet e tij, ashtu si sot». Pastaj, mbreti e mbarë Izraeli bashkë me të, kushtuan fli para Zotit. Solomoni i kushtoi Zotit si fli paqtimi njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Zotit. Po atë ditë, mbreti shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të Zotit. Atje kushtoi flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhej para Zotit, ishte tepër i vogël për të nxënë flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit. Në atë kohë Solomoni dhe e gjithë bashkësia e madhe e izraelitëve, që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit, bënë një festë para Zotit, Perëndisë tonë. Kremtimet zgjatën shtatë ditë. Ditën e tetë mbreti e la popullin të shkonte. Izraelitët e bekuan mbretin dhe u kthyen nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të gjitha të mirat që Zoti i kishte dhënë shërbëtorit të tij, Davidit, dhe Izraelit, popullit të vet. Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të Zotit, pallatin mbretëror dhe të gjitha ndërtesat që donte të bënte, Zoti iu shfaq për herë të dytë, ashtu siç i ishte shfaqur në Gibeon, e i tha: «E dëgjova lutjen dhe përgjërimin që bëre para meje, e shenjtërova këtë tempull që ndërtove dhe aty vendosa emrin tim për amshim. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë përherë aty. Nëse ti ecën para meje siç eci ati yt, Davidi, me zemër të pastër e të drejtë, nëse zbaton gjithçka të kam urdhëruar e nëse mban rregullat e vendimet e mia, do ta bëj gjithmonë të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate në Izrael, siç i premtova Davidit, atit tënd, kur i thashë: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”. Por nëse ju dhe bijtë tuaj më braktisni, nuk i mbani urdhërimet dhe rregullat që ju dhashë unë dhe shkoni pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre, do ta zhduk Izraelin nga faqja e dheut që i kam dhënë. Edhe këtë tempull, që e shenjtërova për nder të emrit tim, do ta flak larg pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet përrallë e tallje për të gjithë popujt. Të gjithë ata që do të kalojnë pranë këtij tempulli të madhërishëm, do të tmerrohen e të çuditur do të thonë: “Përse u soll kështu Zoti me këtë vend e me këtë tempull?”. E do t'u përgjigjen: “Sepse ata e lanë Zotin, Perëndinë e tyre, që i nxori paraardhësit e tyre nga toka e Egjiptit, dhe shkuan pas perëndive të tjerë, u përkulën para tyre e u shërbyen. Prandaj Zoti solli mbi ta këtë fatkeqësi”». Solomonit iu deshën njëzet vjet për t'i ndërtuar të dyja godinat e mëdha, tempullin e Zotit dhe pallatin mbretëror. Hirami, mbreti i Tirit, i kishte dërguar Solomonit drutë e cedrit, të qiparisit dhe të gjithë arin që i ishte dashur. Solomoni i dha Hiramit njëzet qytete në krahinën e Galilesë. Hirami erdhi nga Tiri për të parë qytetet që i kishte dhënë Solomoni, por nuk i pëlqyen. Ai i tha Solomonit: «Vëllai im, ç'qytete janë këto që më ke dhënë?». I quajti Krahina e Kabulit e kështu njihen ato edhe sot e kësaj dite. Hirami i dërgoi mbretit tre tonë e gjysmë ar. Këto ishin ndërtimet që mbreti Solomon urdhëroi të bëhen me punë të detyruar: tempulli i Zotit, pallati i vet mbretëror, Miloja, muret e Jerusalemit, Hacori, Megidoja dhe Gezeri. Faraoni, mbreti i Egjiptit, kishte sulmuar e pushtuar Gezerin, e kishte djegur dhe kananitët që banonin në të i kishte vrarë. Pastaj qytetin ia kishte dhënë si prikë vajzës së vet, gruas së Solomonit. Prandaj Solomoni e rindërtoi Gezerin. Ai rindërtoi edhe Bet Horonin e poshtëm, Baalatin dhe Tadmorin, në krahinën e shkretë të vendit, si edhe të gjitha qytetet ku Solomoni grumbullonte prodhimet, qytetet për karrocat e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. Të gjithë ata që kishin mbetur prej amoritëve, hititëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, si edhe parardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë t'i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar e kështu ndodh ende sot. Solomoni nuk i bëri skllevër pune izraelitët, por i caktoi luftëtarë, zyrtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të karrocave dhe të kalorësisë së tij. Krerët e atyre që mbikëqyrnin punimet e Solomonit ishin pesëqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për punëtorët. Kur e bija e faraonit u largua nga qyteti i Davidit për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, Solomoni ndërtoi Milonë. Solomoni kushtonte tri herë në vit fli shkrumbimi e paqtimi mbi altarin që kishte ndërtuar për Zotin, ku digjte edhe temjan para Zotit. Kështu, ndërtimi i tempullit përfundoi. Solomoni ndërtoi edhe një flotë në Ecjon Geber, që ndodhet pranë Ejlatit, në brigjet e detit të Kuq, në tokën e Edomit. Hirami i dërgoi Solomonit disa nga detarët e tij, që e njihnin mirë detin, për të punuar bashkë me shërbëtorët e Solomonit. Ata shkuan në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar. Mbretëresha e Shebës kishte dëgjuar për emrin që kishte fituar Solomoni në saje të emrit të Zotit dhe erdhi për ta vënë në provë me pyetje të vështira. Ajo mbërriti në Jerusalem me një shpurë të madhe, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar e me gurë të çmuar dhe shkoi te Solomoni e bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemër. Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe asnjë nga pyetjet nuk ishte e panjohur për mbretin, që të mos i jepte përgjigje. Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë urtinë e Solomonit, pallatin mbretëror, që ai kishte ndërtuar, gjellët që shtroheshin në tryezën e tij, banesat e zyrtarëve të tij, fisnikërinë e shërbëtorëve të tij, veshjet e kupëmbajtësve të tij dhe flitë e shkrumbimit, që ai kushtonte në tempullin e Zotit, mbeti pa fjalë. Atëherë ajo i tha mbretit: «Paskan qenë të vërteta fjalët që kisha dëgjuar në vendin tim për ty, për veprat e tua dhe për urtinë tënde. Nuk u besoja fjalëve derisa erdha dhe e pashë me sytë e mi. Po shoh se nuk më paskan thënë as gjysmën. Urtia dhe pasuria jote është më e madhe nga ç'kisha dëgjuar unë. Lum njerëzit e tu e lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje e që dëgjojnë urtinë tënde. Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të ka për zemër e të ka vënë në fronin e Izraelit. Zoti e do Izraelin në amshim, prandaj të caktoi mbret, që të gjykosh drejt e të bësh drejtësi». Ajo i dhuroi mbretit tre tonë e gjysmë ar, erëra të mira me shumicë dhe gurë të çmuar. Në Izrael nuk solli më njeri kurrë aq shumë erëra të mira sa i dha mbretëresha e Shebës mbretit Solomon. Anijet e Hiramit, që kishin sjellë ar nga Ofiri, sollën prej andej edhe dru rrëshinorë me shumicë dhe gurë të çmuar. Me drurët rrëshinorë mbreti bëri trarë mbështetës për tempullin e Zotit dhe për pallatin mbretëror, qeste dhe harpa për këngëtarët. Drurë të tillë rrëshinorë nuk janë sjellë e nuk janë parë më në Izrael deri sot e kësaj dite. Mbreti Solomon, përveç dhuratave mbretërore, i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo kishte dëshiruar e kërkuar. Pastaj ajo bashkë me shërbëtorët u nis për t'u kthyer në vendin e saj. Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë, përveç arit që mblidhej nga tagrat për hyrjen e mallrave në vend, nga tregtia, nga të gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit. Mbreti Solomon farkëtoi dyqind shqyte prej ari me nga gjashtë kilogramë ar secila dhe treqind shqyte të tjera, po prej ari të rrahur, me nga një kilogram e gjysmë ar secila. Mbreti i vuri shqytet në pallatin e quajtur «Pylli i Libanit». Mbreti Solomon bëri edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. Froni kishte gjashtë shkallë dhe shpinëzën e kishte me majë të rrumbullakët. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe në anë të mbështetëseve gjendej nga një luan i gdhendur. Në gjashtë shkallët e fronit kishte dymbëdhjetë luanë të gdhendur. Një fron i tillë nuk ishte ndërtuar në asnjë mbretëri. Të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Solomon, ishin prej ari. Edhe enët e pallatit «Pylli i Libanit» ishin prej ari të pastër. Asgjë nuk ishte prej argjendi. Në ditët e mbretit Solomon argjendi nuk kishte asnjë vlerë. Mbreti Solomon kishte në det anijet e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ato ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj. Kështu, mbreti Solomon u bë mbreti më i pasur e më i urtë ndër gjithë mbretërit e tokës. Mbarë bota dëshironte ta shihte Solomonin, për të dëgjuar urtinë që i kishte vënë në zemër Perëndia. Të gjithë i sillnin dhurata, sende argjendi e ari, veshje, armë, erëra të mira, kuaj e mushka dhe kjo ndodhte çdo vit. Solomoni mblodhi edhe karroca e kalorës. Ai kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Disa kalorës i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerët i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin karrocat. Mbreti ia kishte dalë ta bënte në Jerusalem argjendin të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, gjendej me shumicë sa fiku që rritej në Shefelah. Solomonit ia sillnin kuajt nga Egjipti dhe Keveja. Vetë tregtarët e mbretit i blinin kuajt në Keve. Karrocat e luftës që vinin nga Egjipti kushtonin gjashtëqind sikla argjendi secila, ndërsa një kalë njëqind e pesëdhjetë. Ata u shisnin karroca e kuaj edhe të gjithë mbretërve të hititëve e mbretërve të Aramit. Mbreti Solomon, përveç bijës së faraonit, dashuroi edhe shumë gra të huaja moabite, amonite, edomite, sidonase dhe hitite. Ato vinin nga kombe, për të cilat Zoti u kishte thënë izraelitëve: «Mos hyni e dilni te ato kombe, sepse ata kanë për t'ua kthyer zemrën drejt perëndive të tyre». E megjithatë Solomoni u dha pas tyre e u dashurua me to. Solomoni pati shtatëqind gra fisnike dhe treqind shemra. Gratë ia zvetënuan zemrën Solomonit. Kur u plak, gratë ia kthyen zemrën Solomonit drejt perëndive të tjerë e zemra e tij nuk qe më e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit, Perëndisë së tij, siç kishte qenë zemra e Davidit, atit të tij. Solomoni u dha pas Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, dhe pas Milkomit, idhullit të ndyrë të amonitëve. Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk i qëndroi besnik Zotit, si ati i tij, Davidi. Mbi malin përballë Jerusalemit Solomoni ndërtoi një faltore në vend të lartë për Kemoshin, idhullin e ndyrë të Moabit, dhe për Molekun, idhullin e ndyrë të amonitëve. Të njëjtën gjë bëri për të gjitha gratë e tij të huaja, që ato t'u kushtonin temjan dhe flijime perëndive të tyre. Zoti u zemërua me Solomonin, për shkak se zemra e Solomonit ishte larguar nga Zoti, Perëndia i Izraelit, i cili i ishte shfaqur dy herë dhe e kishte urdhëruar të mos shkonte pas perëndive të tjerë. Por Solomoni nuk e zbatoi urdhrin e Zotit. Prandaj Zoti i tha Solomonit: «Meqenëse veprove kështu e nuk e ruajte besëlidhjen time e as rregullat që të dhashë, kam për të ta hequr mbretërinë e kam për t'ia dhënë njërit prej shërbëtorëve të tu. Megjithatë, për hir të atit tënd, Davidit, nuk do ta bëj sa të jesh gjallë ti, por do t'ia heq nga duart birit tënd. Nuk do t'ia heq të gjithë mbretërinë, por për hir të Davidit, shërbëtorit tim, e të Jerusalemit, qytetit që kam zgjedhur, do t'i jap birit tënd vetëm një fis». Atëherë Zoti ngriti kundër Solomonit Hadad Edomitin, pasardhësin e mbretit të Edomit. Pasi Davidi e kishte pushtuar Edomin, kreu i ushtrisë, Joabi, kishte shkuar për të varrosur të vrarët. Ai i kishte vrarë të gjithë meshkujt në Edom dhe kishte qëndruar atje për gjashtë muaj me gjithë ushtrinë e Izraelit, derisa i kishte vrarë të gjithë meshkujt e Edomit. Por Hadadi, që ishte i vogël në atë kohë, kishte marrë arratinë dhe kishte shkuar në Egjipt bashkë me disa nga shërbëtorët edomitë të të atit. Ata ishin larguar nga Midiani dhe kishin shkuar në Paran. Në Paran kishin marrë me vete disa njerëz të tjerë dhe kishin shkuar në Egjipt te faraoni, mbreti i Egjiptit. Faraoni i kishte dhënë shtëpi e toka dhe i kishte siguruar ushqim. Hadadi i kishte hyrë në zemër faraonit, i cili i kishte dhënë për grua motrën e gruas së vet, mbretëreshës Tahpenesë. Motra e Tahpnesës i kishte lindur Hadadit një djalë, Genubatin, të cilin Tahpenesa e rriti në pallatin e faraonit. Genubati jetoi në shtëpinë e faraonit me bijtë e tij. Kur Hadadi mori vesh në Egjipt se Davidi kishte ndërruar jetë dhe se Joabi, kreu i ushtrisë, kishte vdekur, i tha faraonit: «Më lër të kthehem në vendin tim». Faraoni i tha: «Çfarë të mungon këtu tek unë, që kërkon të kthehesh në vendin tënd?». Ai iu përgjigj: «Asgjë, por më lër të shkoj». Perëndia ngriti kundër Solomonit edhe Rezonin, birin e Eliadait. Rezoni kishte marrë arratinë nga Hadadezeri, zotëria i tij, mbreti i Cobahut. Kur Davidi kishte masakruar ushtrinë e Hadadezerit, Rezoni kishte bashkuar rreth vetes disa burra dhe ishte bërë prijës i një çete kusarësh. Ata kishin shkuar e ishin vendosur në Damask, ku Rezoni sundoi si mbret. Ai qe kundërshtar i Izraelit sa qe gjallë Solomoni, duke i shtuar ligësisë së Hadadit urrejtjen e vet për Izraelin. Rezoni mbretëroi në Aram. Kundër mbretit Solomon ngriti krye edhe një nga nëpunësit e tij, Jeroboami, biri i Nebatit, nga fisi i Efraimit, që jetonte në Ceredah. Nëna e tij quhej Cerua dhe kishte mbetur vejushë. Dhe ja cili qe shkaku i kryengritjes së Jeroboamit kundër mbretit: Solomoni po ndërtonte Milonë dhe po mbyllte të çarën në muret e qytetit të Davidit, atit të tij. Jeroboami ishte i zoti. Solomoni e vuri re djaloshin tek punonte dhe e caktoi mbikëqyrës të të gjithë punëtorëve të fiseve të Jozefit. Një ditë teksa po dilte nga Jerusalemi, Jeroboami ndeshi udhës profetin Ahijah, shilonitin. Në fushë ishin vetëm ata të dy. Ahijahu kishte veshur një mbulojë të re. Ahijahu mori mbulojën dhe e shqeu në dymbëdhjetë copa. Pastaj i tha Jeroboamit: «Merri dhjetë copa, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Ja unë do t'ia heq mbretërinë nga duart Solomonit dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Atij do t'i lë vetëm njërin fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jerusalemit, qytetit që zgjodha për vete ndër të gjitha fiset e Izraelit, sepse izraelitët më braktisën dhe u përkulën para Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe Milkomit, perëndisë së amonitëve. Ata nuk ecin më sipas udhës sime, nuk bëjnë më çfarë është e drejtë në sytë e mi dhe nuk i zbatojnë më rregullat e vendimet e mia, si Davidi, ati i Solomonit. Nuk do t'ia heq nga duart të gjithë mbretërinë, por do ta lë të sundojë sa të jetë gjallë, për hir të Davidit, shërbëtorit tim, që ishte i zgjedhuri im dhe i mbajti urdhërimet dhe rregullat e mia. Do t'ia heq mbretërinë nga duart birit të tij dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Birit të tij do t'i lë vetëm njërin fis, që Davidit, shërbëtorit tim, t'i mbetet përherë një pishtar i ndezur para meje në Jerusalem, në qytetin që zgjodha për të vendosur emrin tim. Ty, Jeroboam, do të të marr që të mbretërosh mbi çfarë të dëshirosh. Ti do të jesh mbreti i Izraelit. Nëse u bindesh urdhrave të mi, nëse ecën udhëve të mia dhe nëse bën çfarë është e drejtë në sytë e mi, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të jap një mbretëri të përhershme, siç bëra me Davidin. Unë do të të jap Izraelin. Do t'i poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithmonë”». Solomoni u përpoq ta vriste Jeroboamin, por ai iku në Egjipt te Shishaku, mbreti i Egjiptit. Jeroboami qëndroi në Egjipt derisa vdiq Solomoni. Veprat e tjera të Solomonit, gjithçka që ai bëri dhe urtia e tij janë të shkruara në librin e Veprave të Solomonit. Solomoni mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem dhe qe mbreti i mbarë Izraelit. Solomoni vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi Rehoboami, i biri. Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta shpallur mbret. Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur e mori vesh këtë, Jeroboami qëndroi në Egjipt, por kur i çuan fjalë dhe e thirrën, u kthye. Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson tani disi zgjedhën e punës së rëndë që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua. Kështu, mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit?». Ata i thanë: «Nëse ti sot bëhesh shërbëtor i këtij populli e i shërben dhe nëse u thua fjalë të mira, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve, por u këshillua me të rinjtë me të cilët ishte rritur e që i rrinin pranë. Ai i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t'ua lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që foli me ty e që të kërkoi t'ua lehtësosh zgjedhën që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”». Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. Mbreti iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, por unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur Zoti, që të shkonte në vend fjala që Zoti i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit. Kur mbarë Izraeli pa se mbreti nuk i kishte dëgjuar, ata i dërguan fjalë e i thanë: «Ç'lidhje kemi ne me Davidin e ç'pjesë kemi me të birin e Jeseut? Nëpër tendat tuaja, o izraelitë! Ndërsa ti kujdesu për shtëpinë tënde tani, o David!». Kështu, izraelitët shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Rehoboami mbretëronte mbi izraelitët që jetonin në qytetet e Judës. Mbreti Rehoboam dërgoi tek izraelitët e tjerë Adoramin, mbikëqyrësin e punës së detyruar, por ata e vranë me gurë e ai vdiq. Atëherë mbreti Rehoboam hipi me ngut në një karrocë dhe ia mbathi për në Jerusalem. Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit e ashtu është deri sot. Kur izraelitët e tjerë morën vesh se ishte kthyer Jeroboami, dërguan për ta thirrur dhe e gjithë bashkësia e shpalli mbret të mbarë Izraelit. Vetëm fisi i Judës i qëndroi besnik shtëpisë së Davidit. Kur mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur nga fisi i Judës dhe nga fisi i Benjaminit, për të sulmuar mbretërinë e Izraelit dhe për t'ia kthyer mbretërinë Rehoboamit, birit të Solomonit. Atëherë fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, e i tha: «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit dhe mbretit të Judës, të gjithë fisit të Judës dhe të Benjaminit, si edhe mbarë popullit, se kështu thotë Zoti: “Mos dilni për të luftuar kundër vëllezërve tuaj, izraelitëve. Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja, sepse kjo gjë vjen nga unë”». Ata e dëgjuan fjalën e Zotit dhe u kthyen pas, siç kishte thënë Zoti. Jeroboami fortifikoi Shekemin në malësinë e Efraimit dhe vendosi të banojë atje. Mandej doli prej andej dhe fortifikoi edhe Penuelin. Jeroboami mendoi me vete: «Siç janë gjërat tani, mbretëria ka për t'iu kthyer shtëpisë së Davidit. Nëse ky popull shkon në Jerusalem për të kushtuar fli në tempullin e Zotit, zemra e tyre do të kthehet te zotëria i tyre, Rehoboami, mbreti i Judës. Mua kanë për të më vrarë e vetë kanë për t'u kthyer te Rehoboami, mbreti i Judës». Pasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari e i tha popullit: «Mos shkoni më në Jerusalem. Ja ku janë perënditë e tu, o Izrael, perënditë që të nxorën nga toka e Egjiptit». Njërin e vuri në Betel e tjetrin në Dan. Kjo e shtyu popullin të mëkatojë, sepse ata shkuan deri në Dan, për të rënë përmbys para një viçi. Jeroboami ndërtoi edhe një tempull në vend të lartë dhe caktoi priftërinj, njerëz nga mbarë populli, që nuk ishin pasardhës të Levit. Ai caktoi edhe një të kremte në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, që përkonte me festën që kremtohej në Judë, dhe vetë ai kushtoi fli mbi altar. Kështu veproi Jeroboami në Betel dhe u kushtoi fli viçave që kishte bërë, si edhe caktoi priftërinj për faltoret që kishte ndërtuar në vende të larta. Ai ofroi kusht te altari që kishte bërë në Betel, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, ditë që e kishte ndarë me mendje të vet. Ai e caktoi si të kremte për izraelitët dhe kushtoi temjan mbi altar. Një njeri i Perëndisë mbërriti nga Juda në Betel me urdhër të Zotit kur Jeroboami po qëndronte para altarit për të kushtuar temjan. Njeriu i Perëndisë iu drejtua altarit me fjalën e Zotit e tha: «Altar, altar! Kështu thotë Zoti: “Ja, një djalë, që do të lindë nga shtëpia e Judës e do të quhet Josi, do të flijojë mbi ty priftërinjtë e faltoreve në vende të larta, që kanë kushtuar temjan mbi ty, e mbi ty eshtra njerëzish do të djegë!”». Po atë ditë njeriu i Perëndisë bëri një mrekulli e tha: «Ja cila do të jetë shenja që këto janë fjalët e Zotit: altari do të çahet e hiri që është mbi të, do të derdhet». Kur mbreti Jeroboam dëgjoi fjalët, që njeriu i Perëndisë tha kundër altarit të Betelit, shtriu krahun nga altari ku ishte dhe urdhëroi që ta kapnin njeriun e Perëndisë. Por krahu iu tha e Jeroboami nuk mundi ta mbledhë më. Atë çast altari u ça e hiri u derdh prej tij, sipas shenjës që kishte thënë njeriu i Perëndisë, se do të bëhej sipas fjalës së Zotit. Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë: «Të lutem, lutju Zotit Perëndi e përgjëroju për mua, që të më kthehet krahu në vend». Njeriu i Perëndisë iu lut Zotit dhe mbretit iu kthye krahu si më parë. Mbreti i tha njeriut të Perëndisë: «Eja me mua në shtëpi që të marrësh veten e do të të jap edhe dhurata». Por njeriu i Perëndisë iu përgjigj: «Edhe sikur të më jepje gjysmën e mbretërisë, nuk do të vija me ty. Në këtë vend as do të ha bukë e as do të pi ujë, sepse Zoti më ka urdhëruar vetë të mos ha bukë e të mos pi ujë, madje edhe të kthehem nga një rrugë tjetër». Kështu, ai u nis e u kthye nga një rrugë tjetër e jo nga rruga që kishte ardhur në Betel. Në Betel jetonte një profet i thyer në moshë. Bijtë e tij shkuan e i treguan për gjithçka që kishte bërë atë ditë në Betel njeriu i Perëndisë. Ata i treguan të atit edhe fjalët që njeriu i Perëndisë i kishte thënë mbretit. I ati i pyeti: «Cilën rrugë mori?». Të bijtë i treguan rrugën që kishte marrë njeriu i Perëndisë që kishte ardhur nga Juda. Atëherë ai u tha të bijve: «Ma shaloni gomarin». Ata ia shaluan gomarin dhe ai hipi mbi të. Ai shkoi pas njeriut të Perëndisë dhe e gjeti të ulur nën një lis. Profeti i moshuar e pyeti: «Ti je njeriu i Perëndisë që erdhi nga Juda?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». Profeti i moshuar i tha: «Eja me mua në shtëpi të hash bukë». Njeriu i Perëndisë i tha: «Nuk mund të kthehem pas e të vij me ty. As nuk do të ha bukë e as nuk do të pi ujë me ty në këtë vend, sepse vetë Zoti më ka urdhëruar, të mos ha bukë e të mos pi ujë këtu, madje edhe të mos kthehem nga e njëjta rrugë që erdha». Profeti i moshuar i tha: «Edhe unë profet jam, si ti. Një engjëll më foli me urdhër të Zotit e më tha të të ktheja në shtëpi që të hash bukë e të pish ujë». Por profeti e gënjeu. Njeriu i Perëndisë u kthye me të, hëngri bukë e piu ujë në shtëpinë e tij. Teksa ishin në tryezë, Zoti i foli profetit që kishte kthyer njeriun e Perëndisë nga rruga. Atëherë profeti i tha me zë të lartë njeriut të Perëndisë që kishte ardhur nga Juda: «Kështu thotë Zoti: “Meqenëse nuk e dëgjove fjalën e Zotit dhe nuk e zbatove urdhrin që të dha Zoti, Perëndia yt, por u ktheve për të ngrënë bukë e për të pirë ujë në vendin që të kishte thënë të mos haje bukë e të mos pije ujë, kufoma jote nuk do të varroset në varrezën e të parëve të tu”». Pastaj njeriu i Perëndisë hëngri bukë e piu dhe shaloi gomarin e profetit që e ktheu nga rruga. Ai u nis për t'u kthyer, por rrugës i doli përpara një luan dhe e vrau. Kufoma e njeriut të Perëndisë mbeti e shtrirë në rrugë dhe gomari me luanin qëndronin pranë kufomës. Disa kalimtarë panë kufomën të shtrirë përtokë dhe luanin që qëndronte pranë saj. Ata shkuan dhe e përhapën lajmin në qytetin ku jetonte profeti i thyer në moshë. Kur e dëgjoi këtë profeti që e ktheu nga rruga, tha: «Është njeriu i Perëndisë që nuk iu bind urdhrit të Zotit dhe Zoti e la nën kthetrat e luanit. Luani e shqeu dhe e vrau, sipas fjalës që kishte thënë Zoti për të». Atëherë ai u tha bijve të tij: «Ma shaloni gomarin». Ata ia shaluan gomarin e ai u nis. Gjeti kufomën të shtrirë përtokë mbi rrugë dhe gomarin me luanin që rrinin pranë saj. Luani nuk e kishte ngrënë kufomën e nuk e kishte shqyer gomarin. Profeti i thyer në moshë e mori kufomën e njeriut të Perëndisë dhe e ngarkoi mbi gomar. Pastaj u kthye në qytetin e vet për ta vajtuar njeriun e Perëndisë e për ta varrosur. Kufomën e varrosi në varrin e vet dhe njerëzit vajtonin duke thënë: «Mjerë, o vëllai im». Pas varrimit, profeti u tha bijve të vet: «Kur të vdes, më varrosni në varrin ku prehet njeriu i Perëndisë. M'i vini eshtrat pranë eshtrave të tij. Fjala që tha ai me urdhër të Zotit për altarin e Betelit e për faltoret në vende të larta të Samarisë do të përmbushet». As pas këtyre ndodhive, Jeroboami nuk u kthye nga udha e tij e ligë, por vazhdonte të caktonte priftërinj njerëz nga mbarë populli për faltoret në vende të larta. Jeroboami bënte prift për faltoret në vende të larta këdo që e dëshironte. Kjo e bëri shtëpinë e Jeroboamit të mëkatonte dhe solli shkatërrimin e shfarosjen e saj nga faqja e dheut. Asokohe Abijahu, biri i Jeroboamit, ishte sëmurë. Jeroboami i tha së shoqes: «Ngrihu, të lutem, ndërro veshje, që mos të të njohin se je gruaja e Jeroboamit, e shko në Shiloh. Atje jeton profeti Ahijah, ai që më tha se do të bëhesha mbreti i këtij populli. Merr me vete dhjetë bukë, disa kuleç të ëmbël dhe një qyp me mjaltë e shko ta takosh. Ai do të të thotë se ç'do të ndodhë me djalin». E ashtu bëri gruaja e Jeroboamit. Ajo u ngrit e shkoi në Shiloh, në shtëpinë e Ahijahut. Ahijahu nuk shihte më, sepse i ishin dobësuar sytë nga pleqëria e thellë. Por Zoti i tha Ahijahut: «Ja, gruaja e Jeroboamit po vjen për t'u këshilluar me ty për birin e saj të sëmurë. Thuaji kështu e ashtu. Kur të vijë, ajo do të shtiret si një grua tjetër». Kur Ahijahu dëgjoi hapat e gruas së Jeroboamit tek po hynte në derë, i tha: «Hyr, o gruaja e Jeroboamit! Përse hiqesh si një grua tjetër? Kam një lajm të rëndë për ty. Shko e thuaji Jeroboamit: kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Unë të ngrita mbi të tjerët e të bëra sundimtar mbi popullin tim, Izraelin. E ndava mbretërinë nga shtëpia e Davidit e ta dhashë ty, por ti nuk ke qenë si shërbëtori im, Davidi, i cili i mbante urdhërimet e mia e më ndiqte me gjithë zemër. Davidi bënte çka ishte e drejtë në sytë e mi. Ti ke bërë më shumë ligësi se të gjithë paraardhësit e tu. Bëre perëndi të tjerë e derdhe idhuj prej metali për veten tënde, më ktheve shpinën dhe ndeze zemërimin tim. Prandaj unë do të sjell fatkeqësi mbi shtëpinë e Jeroboamit e do t'i shfaros të gjithë meshkujt e saj në Izrael, qofshin këta skllevër apo të lirë. Do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit siç fshihet plehu, derisa të shfaroset krejt. Njerëzit e shtëpisë së Jeroboamit që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin nëpër ara, sepse kështu foli Zoti ”. Prandaj ngrihu e shko në shtëpi. Sapo këmbët e tua të shkelin pragun e qytetit, djali do të vdesë. Mbarë Izraeli do ta qajë e do ta varrosë. Nga shtëpia e Jeroboamit vetëm ai do të shtihet në varr, sepse ai është i vetmi prej asaj shtëpie, tek i cili Zoti, Perëndia i Izraelit, pa diçka të mirë. Zoti do të nxjerrë një mbret të vetin për Izraelin, i cili do ta shfarosë shtëpinë e Jeroboamit, duke filluar që sot. Ç'po them kështu? Duke filluar që tani. Zoti do ta dërrmojë Izraelin si një kallam që lëkundet në ujë dhe do ta zhbijë nga kjo tokë e mirë që u dha paraardhësve të tyre. Zoti do t'i shpërndajë përtej lumit të Eufratit, sepse ata bënë shtylla të Asherasë dhe ndezën zemërimin e tij. Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve të Jeroboamit, i cili jo vetëm që mëkatoi vetë, por u bë shkak mëkati edhe për Izraelin». Gruaja e Jeroboamit u ngrit për të ikur dhe shkoi në Tircah. Sapo shkeli pragun e shtëpisë, djaloshi vdiq. I gjithë Izraeli vajtoi për të dhe e varrosi, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes shërbëtorit të tij, profetit Ahijah. Bëmat e tjera të Jeroboamit, sesi luftoi e sesi mbretëroi, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Jeroboami mbretëroi njëzet e dy vjet e pastaj vdiq. Pas tij mbretëroi i biri, Nadabi. Rehoboami, biri i Solomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për shtatëmbëdhjetë vjet në Jerusalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur ndër të gjitha fiset e Izraelit për të vendosur emrin e tij. Nëna e Rehoboamit quhej Naamë dhe ishte amonite. Edhe Juda bëri çka ishte keq në sytë e Zotit. Me mëkatet që bënë, e ndezën zemërimin e tij më shumë se paraardhësit e tyre. Ata ndërtuan për vete faltore në vende të larta dhe përmendore e shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë e nën çdo pemë gjethedendur. Në vend kishte edhe lavire kulti dhe pasardhësit e fisit të Judës bënë të gjitha ndyrësitë që kishin bërë edhe kombet, të cilat Zoti i kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit, sulmoi Jerusalemin dhe plaçkiti thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e pallatit mbretëror e gjithçka tjetër. Ai plaçkiti edhe të gjitha shqytet e arta që kishte punuar Solomoni. Në vend të tyre, mbreti Rehoboam bëri shqyte bronzi dhe ua dorëzoi krerëve të ushtarëve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. Sa herë që mbreti shkonte në tempullin e Zotit, ushtarët i merrnin shqytet dhe i kthenin sërish në vendin ku mbaheshin armët. Bëmat e tjera të Rehoboamit e gjithçka bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati përherë luftë. Rehoboami vdiq dhe u varros bashkë me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Nëna e tij quhej Naamë dhe ishte amonite. Pas tij mbretëroi i biri, Abijami. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Jeroboamit, birit të Nebatit, Abijami u bë mbret i Judës dhe mbretëroi në Jerusalem për tre vjet. Nëna e tij ishte e bija e Absalomit dhe quhej Maka. Abijami bëri të gjitha mëkatet që kishte bërë edhe i ati para tij. Zemra e tij nuk ishte e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit, Perëndisë së tij, siç kishte qenë zemra e Davidit, paraardhësit të tij. E megjithatë, për hir të Davidit, Zoti, Perëndia i tij, i dha një pasardhës për të sunduar në Jerusalem, që familja e Davidit të mos shuhej si pishtari e që Jerusalemi të mos binte. Davidi kishte bërë çka ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe gjatë gjithë jetës nuk i ishte shmangur asnjërit prej urdhërimeve të tij, përveç rastit të Urjahut, hititit. Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati luftë gjatë gjithë jetës. Bëmat e tjera të Abijamit e gjithçka bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Edhe mes Abijamit dhe Jeroboamit pati luftë. Abijami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Asai. Në vitin e njëzetë të mbretërimit të Jeroboamit në Izrael, Asai u bë mbret i Judës. Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Jerusalem. Nëna e tij ishte bija e Absalomit dhe quhej Maka. Asai bëri çka ishte e drejtë në sytë e Zotit, si Davidi, paraardhësi i tij. Ai i dëboi prej vendit të gjithë lavirët e kulteve dhe i shkatërroi të gjithë idhujt që kishin bërë paraardhësit e tij. Ai hoqi edhe të ëmën, Makën, nga vendi i nënës mbretëreshë, për shkak se ajo kishte bërë një shtyllë të Asherasë së pështirë. Ai e preu copash idhullin dhe e dogji në luginën e Kidronit. Por faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan, ndonëse zemra e Asait mbeti gjithmonë e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit. Asai solli në tempullin e Zotit sendet dhe enët e shenjta prej argjendi e prej ari që ishin kushtuar nga i ati e nga vetë ai. Mes Asait dhe Bashait, mbretit të Izraelit, pati luftë gjatë gjithë jetës së tyre. Bashai, mbreti i Izraelit, u nis për të sulmuar Judën dhe fortifikoi Ramahun, për të penguar lëvizjen e kujtdo që shkonte e vinte nga Asai, mbreti i Judës. Atëherë Asai mori të gjithë argjendin dhe arin, që kishte mbetur në thesarin e tempullit të Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror, dhe ia dha shërbëtorëve të tij, për t'ia çuar Ben Hadadit, birit të Tabrimonit, të birit të Hezjonit, mbretit të Aramit, i cili banonte në Damask, e për t'i thënë: «Le të bëjmë një besëlidhje mes nesh, ashtu siç kishin bërë im atë dhe yt atë, dhe për këtë të kam dërguar si dhuratë argjend dhe ar. Prishe, pra, besëlidhjen që ke bërë me Bashain, mbretin e Izraelit, që të tërhiqet nga trojet e mia». Ben Hadadi ia dëgjoi fjalën mbretit Asa dhe dërgoi krerët e ushtrisë së tij për të sulmuar qytetet e Izraelit. Ata pushtuan Ijonin, Danin, Abel Bet Makahun, mbarë krahinën e Kineretit dhe gjithë trojet e Neftaliut. Sapo mori vesh lajmin, Bashai e ndali ndërtimin e Ramahut dhe u vendos në Tircah. Atëherë mbreti Asa thirri të gjithë banorët e Judës pa përjashtim, për të marrë nga Ramahu gurët dhe drurët që kishte përdorur Bashai dhe me to fortifikoi Gebën e Benjaminit dhe Micpahun. Të gjitha bëmat e tjera të Asait, të gjitha veprat dhe qytetet e ndërtuara prej tij, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Në pleqëri Asai vuajti nga një sëmundje e këmbëve. Ai u preh me paraardhësit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Pas tij mbretëroi i biri, Joshafati. Në vitin e dytë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Nadabi, biri i Jeroboamit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi për dy vjet në Izrael. Nadabi bëri çka është keq në sytë e Zotit, u soll njëlloj si i ati dhe bëri të njëjtin mëkat si ai, duke shtyrë në mëkat edhe Izraelin. Bashai, biri i Ahijahut, nga fisi i Isaharit, doli kundër Nadabit dhe e goditi për vdekje në qytetin filistin të Gibetonit, në kohën kur Nadabi e mbarë Izraeli kishin rrethuar qytetin. Bashai e vrau Nadabin në vitin e tretë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, dhe u bë mbret i Izraelit në vend të Nadabit. Me t'u bërë mbret, Bashai e shfarosi të gjithë shtëpinë e Jeroboamit dhe nuk la gjallë asnjë prej tyre. Bashai e asgjësoi shtëpinë e Jeroboamit sipas fjalës që kishte thënë Zoti përmes shërbëtorit të tij, Ahijahut, shilonitit, për shkak se Jeroboami kishte mëkatuar dhe kishte shtyrë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit. Bëmat e tjera të Nadabit e gjithçka që ai bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Mes Asait dhe Bashait, mbretit të Izraelit, pati luftë gjatë gjithë jetës së tyre. Në vitin e tretë të mbretërimit të Asait në Judë, Bashai, biri i Ahijahut, u bë mbret i gjithë Izraelit. Ai mbretëroi në Tircah për njëzet e katër vjet. Bashai bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll njëlloj si Jeroboami e bëri të njëjtin mëkat si ai, duke shtyrë në mëkat edhe Izraelin. Atëherë Zoti i foli Jehut, birit të Hananiut, për t'i thënë Bashait këto fjalë: «Unë të ngrita nga pluhuri dhe të bëra sundues të popullit tim, Izraelit. Por ti u solle njëlloj si Jeroboami, e shtyve popullin tim, Izraelin, në mëkat dhe ndeze kështu zemërimin tim për mëkatet e tyre. Prandaj do të të shfaros ty dhe shtëpinë tënde e do të veproj me të si veprova me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit. Njerëzit e shtëpisë së Bashait që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin në arë». Bëmat e tjera të Bashait, veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Bashai u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Tircah. Pas tij mbretëroi i biri, Elahu. Zoti kishte folur kundër Bashait e shtëpisë së tij përmes profetit Jeh, birit të Hananiut, për shkak të ligësisë që kishte bërë Bashai në sytë e Zotit, duke ndezur zemërimin e Zotit me veprimet e tij, njëlloj si shtëpia e Jeroboamit, dhe për shkak të shfarosjes së familjes së Jeroboamit. Në vitin e njëzet e gjashtë të mbretërimit të Asait në Judë, Elahu, biri i Bashait, u bë mbreti i Izraelit dhe mbretëroi në Tircah për dy vjet. Zimriu, shërbëtori i Elahut dhe kreu ushtarak i gjysmës së karrocave të luftës, u ngrit kundër mbretit. Një herë, kur mbreti Elah ndodhej në Tircah dhe kishte pirë sa ishte dehur, në shtëpinë e Arcait, mbikëqyrësit të pallatit mbretëror të Tircahut, Zimriu shkoi dhe e goditi për vdekje në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës. Pas Elahut mbret u bë Zimriu. Me t'u bërë mbret e me të hipur në fron, Zimriu shfarosi të gjithë familjen e Bashait dhe nuk la gjallë asnjë nga meshkujt, të afërmit apo miqtë e familjes. Zimriu e shfarosi krejt shtëpinë e Bashait, sipas fjalës që kishte thënë Zoti për të përmes profetit Jeh. Shkak ishin mëkatet e Bashait dhe birit të tij, Elahut, të cilët jo vetëm mëkatuan vetë, por shtynë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, me idhujt e tyre të kotë. Bëmat e tjera të Elahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Zimriu u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për shtatë ditë në Tircah. Asokohe, ushtria kishte rrethuar Gibetonin, qytetin filistin. Kur dëgjuan se Zimriu kishte dalë kundër mbretit dhe e kishte vrarë, ushtarët e shpallën Omriun, kreun e ushtrisë, mbret të Izraelit që atë ditë në fushim. Atëherë Omriu dhe të gjithë izraelitët që ishin me të, marshuan nga Gibetoni në Tircah dhe e rrethuan. Kur pa se qyteti po pushtohej, Zimriu hyri në pallatin mbretëror e i vuri zjarrin, duke u djegur edhe vetë brenda. Ai vdiq për shkak të mëkateve dhe të ligësisë që kishte bërë në sytë e Zotit, duke u sjellë si Jeroboami, i cili mëkatoi vetë dhe shtyu edhe Izraelin në mëkat. Bëmat e tjera të Zimriut dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Pas këtyre ndodhive, populli i Izraelit ishte i ndarë më dysh. Gjysma e popullit donte për mbret Tibniun, birin e Ginatit, ndërsa gjysma tjetër donte Omriun. Pjesa e popullit që përkrahte Omriun pati epërsi ndaj atyre që donin Tibniun, birin e Ginatit. Tibniu vdiq e mbret u bë Omriu. Në vitin e tridhjetëenjëtë të mbretërimit të Asait në Judë, Omriu u bë mbreti i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Izrael. Për gjashtë vjet mbretëroi nga Tircahu. Më pas Omriu bleu prej Shemerit malin e Samarisë për gjashtë mijë monedha argjendi e mbi të ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Samari, sipas emrit të Shemerit, të zotit të malit të Samarisë. Omriu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll edhe më keq se të gjithë paraardhësit e tij. Ai u soll njëlloj si Jeroboami, biri i Nebatit, bëri të njëjtat mëkate si ai, e shtyu Izraelin në mëkat, e me idhujt e tyre të kotë ndezi zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit. Bëmat e tjera të Omriut, veprat dhe trimëritë e tij gjenden të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Omriu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi i biri, Ahabi. Në vitin e tridhjetë e tetë të mbretërimit të Asait në Judë, Ahabi, biri i Omriut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi mbi Izraelin nga Samaria për njëzet e dy vjet. Ahabi, biri i Omriut, bëri çka është keq në sytë e Zotit më shumë se të gjithë paraardhësit e tij. Si të mos mjaftonte sjellja e tij mëkatare, si Jeroboami, biri i Nebatit, Ahabi u martua me Izebelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonasve, dhe filloi t'i shërbente Baalit e të përkulej para tij. Ai i bëri një altar Baalit brenda tempullit që i kishte ndërtuar në Samari dhe ndërtoi edhe një shtyllë të Asherasë. Sjellja e tij e ndezi zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, shumë më tepër se të gjithë paraardhësit e tij. Gjatë sundimit të Ahabit, Hieli nga Beteli rindërtoi Jerikonë. Ai i hodhi themelet mbi Abiramin, djalin e tij të parëlindur, dhe i ngriti portat mbi birin e tij, Segubin, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes Jozuehut, birit të Nunit. Elia, tishbiti, njëri nga banorët e Tishbesë së Gileadit, i tha Ahabit: «Pasha Zotin, Perëndinë e Izraelit, të cilit i shërbej, gjatë këtyre viteve nuk do të bjerë as vesë, as shi, përveçse po të them unë». Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elisë e i tha: «Largohu prej këndej, shko drejt lindjes dhe fshihu te përroi i Keritit që ndodhet kundruall Jordanit. Do të pish ujë nga përroi, ndërsa ushqimin kam dhënë urdhër të ta sjellin korbat». Elia bëri sipas urdhrit të Zotit dhe shkoi e u vendos pranë përroit të Keritit, kundruall Jordanit. Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes e në mbrëmje, ndërsa ujin e pinte nga përroi. Pas njëfarë kohe, përroi shteroi, se në vend nuk kishte rënë shi. Atëherë fjala e Zoti iu drejtua sërish Elisë e i tha: «Ngrihu e shko në Sareptë të Sidonit dhe qëndro atje. Aty i kam dhënë urdhër një gruaje të ve të kujdeset për ushqimin tënd». Elia u ngrit e shkoi në Sareptë. Kur mbërriti te portat e qytetit, pa një vejushë tek mblidhte dru. Elia e thirri e i tha: «Më sill pak ujë në një katruve, që të pi». Kur ajo u nis për të marrë ujin, ai i thirri e i tha: «Të lutem, më sill edhe një copë bukë». Ajo i tha: «Pasha Zotin, Perëndinë tënd, në më ka mbetur më ushqim, përveç një grushti miell në tinar dhe pak vaji në qyp. Ja, tani po mbledh nja dy copa dru dhe pastaj do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për vete dhe për djalin. Do të hamë e pastaj do të vdesim». Elia i tha: «Mos ki frikë, por shko e bëj siç the. Më parë, veçse, më piq mua një kulaç të vogël me miellin që ka mbetur dhe ma sill. Pastaj gatuaj për vete dhe për djalin, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Mielli në tinar nuk do të mbarojë dhe vaji në qyp nuk do të pakësohet, deri ditën që Zoti do të dërgojë shiun mbi faqen e tokës”». Vejusha shkoi e bëri siç i tha Elia dhe për shumë ditë patën për të ngrënë ai, ajo dhe shtëpia e saj. Tinari i miellit nuk u zbraz dhe qypi i vajit nuk u shter, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes Elisë. Pas këtyre ndodhive, djali i vejushës u sëmur. Sëmundja qe aq e rëndë, sa nuk merrte më frymë e vdiq. Atëherë vejusha i tha Elisë: «Ç'të kam bërë, o njeri i Perëndisë? Erdhe tek unë, që të më kujtosh paudhësitë e të më marrësh djalin?». Elia i tha: «Ma jep mua djalin». Ia mori djalin nga prehri, e çoi në dhomën e sipërme ku rrinte dhe e vuri mbi shtratin e vet. Atëherë i thirri Zotit: «O Zot, Perëndia im, si ia solle këtë fatkeqësi edhe kësaj vejushe, tek e cila kam bujtur, dhe e le djalin e saj të vdesë?». Pastaj Elia u shtri tri herë mbi djalin dhe i thirri Zotit: «O Zot, Perëndia im, të lutem, ktheja jetën djaloshit». Zoti ia dëgjoi lutjen Elisë dhe djaloshi u ngjall e u kthye në jetë. Atëherë Elia e mori djaloshin, e zbriti nga dhoma e sipërme e shtëpisë, ia dha së ëmës e i tha: «Ja, djali yt jeton». Vejusha i tha Elisë: «Tani e di se ti je njeri i Perëndisë dhe se goja jote thotë me të vërtetë fjalën e Zotit ». Pas shumë kohe, në vitin e tretë të thatësirës, fjala e Zotit iu drejtua sërish Elisë e i tha: «Shko e paraqitu tek Ahabi, se dua të dërgoj shi mbi faqen e tokës». Elia shkoi e u paraqit tek Ahabi. Zia e bukës ishte shumë e rëndë në Samari. Ahabi kishte thirrur Abdinë, mbikëqyrësin e pallatit mbretëror. Abdia e druante shumë Zotin. Kur Izebela shfaroste profetët e Zotit, Abdia kishte marrë njëqind profetë, i kishte fshehur nëpër shpella, të ndarë në grupe nga pesëdhjetë, dhe i kishte mbajtur me bukë e me ujë. Ahabi i kishte thënë Abdisë: «Dil nëpër burimet e ujërave dhe nëpër luginat e vendit, se mos ndoshta gjejmë bar për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat, që të mos i therim bagëtitë». Ata e kishin ndarë mes tyre pjesën e vendit që do të përshkonin. Rrugës Abdia u ndesh me Elinë. Abdia e njohu, prandaj u përkul deri në tokë e i tha: «A je ti imzot Elia?». Elia iu përgjigj: «Unë jam. Shko e thuaji zotërisë tënd se Elia është këtu». Abdia i tha: «Ç'mëkat kam bërë, që po e dorëzon shërbëtorin tënd në duart e Ahabit, për të më vrarë? Pasha Zotin, Perëndinë tënd, në ka popull apo mbretëri, ku zotëria im nuk ka dërguar njerëz për të të kërkuar. Kur i thoshin se nuk ishe atje, i vinte të betoheshin se nuk të kishin gjetur. E tani, ti më thua të shkoj e t'i them timzoti se Elia është këtu? Sapo të largohem prej teje, Shpirti i Zotit do të të çojë në një vend që unë s'e di. Unë do të shkoj të lajmëroj Ahabin dhe kur ai mos të të gjejë, ka për të më vrarë. Shërbëtori yt e druan Zotin që prej fëmijërisë. A nuk të kanë thënë, imzot, sesi veprova unë, kur Izebela vriste profetët e Zotit? Fsheha njëqind profetë të Zotit nëpër shpella, të ndarë në grupe nga pesëdhjetë, dhe i mbajta me bukë e me ujë. E tani, ti më thua të shkoj e t'i them timzoti se Elia është këtu? Ai do të më vrasë?». Elia i tha: «Pasha Zotin e ushtrive, të cilit i shërbej, unë sot do të paraqitem tek Ahabi». Abdia shkoi për të takuar Ahabin dhe i tregoi për Elinë. Atëherë Ahabi shkoi të takonte Elinë. Sapo e pa, Ahabi i tha Elisë: «Ti qenke, o ngatërrestar i Izraelit?». Elia i tha: «Nuk jam unë ngatërrestari i Izraelit, por ti dhe shtëpia jote, sepse ti i ke braktisur urdhërimet e Zotit dhe ke shkuar pas idhujve të Baalit. E tani, dërgo të thërrasin mbarë Izraelin që të mblidhen tek unë në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherasë që ushqehen në tryezën e Izebelës». Ahabi u dërgoi fjalë të gjithë izraelitëve dhe i mblodhi të gjithë profetët në malin Karmel. Atëherë Elia iu afrua mbarë popullit e tha: «Deri kur do të jeni të lëkundur sa andej-këtej? Nëse Zoti është Perëndia, atëherë shkoni pas tij. Nëse është Baali, ndiqni atë». Por populli nuk tha asnjë fjalë. Elia i tha popullit: «Nga profetët e Zotit kam mbetur vetëm unë, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë. Na sillni dy mëzetër dhe profetët e Baalit të zgjedhin cilin të duan. Ta ndajnë mëzatin në copa dhe ta vënë mbi drurë, por pa i ndezur drutë. Unë do të përgatis mëzatin tjetër, do ta vë mbi drurë, pa i ndezur as unë. Ju do të thërrisni emrin e perëndisë suaj dhe unë do t'i thërras emrit të Zotit. Perëndia që do të përgjigjet me zjarr, ai do të jetë Perëndia i vërtetë». I gjithë populli u përgjigj: «Mirë ke thënë». Pastaj Elia u tha profetëve të Baalit: «Zgjidheni ju të parët mëzatin për ta bërë gati, sepse jeni më shumë. Më pas thirrni emrin e perëndisë suaj, pa i ndezur drutë». Kështu, ata morën mëzatin që u takoi dhe e bënë gati. Pastaj thirrën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në mesditë e thoshin: «O Baal, dëgjona!». Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe askush nuk u përgjigj. Por ata ende kërcenin rrotull altarit që kishin ndërtuar. Në mesditë Elia filloi të tallet me profetët e Baalit e t'u thoshte: «Thirrni më fort, se ai është perëndi e ka shumë mendime në kokë. Mund të ketë shkuar gjëkundi ose ndoshta e ka zënë gjumi, prandaj zgjojeni». Ata thirrën edhe më fort dhe, sipas zakonit që kishin, filluan të priteshin me shpata e me shigjeta, aq sa kulluan gjak. Pasi kaloi mesdita, ata filluan të profetizonin, derisa erdhi koha e kushtimit të flisë, por nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u përgjigj askush e askush nuk u vuri vesh. Atëherë Elia i tha mbarë popullit: «Afrohuni tek unë». I gjithë populli u afrua dhe Elia filloi të ndreqte altarin e Zotit që ishte rrënuar. Ai mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: «Ti do të quhesh Izrael». Me gurët ndërtoi altarin për nder të emrit të Zotit dhe përreth altarit hapi një vijë kulluese të gjerë sa për të mbajtur rreth tridhjetë litra. Pastaj rregulloi drutë, preu mëzatin në copa, i vendosi copat mbi drurë e tha: «Mbushni katër shtamba me ujë e derdhini mbi flinë e shkrumbimit dhe mbi drutë». Më pas tha: «Bëjeni edhe një herë». Ata bënë siç u tha. E u tha përsëri: «Bëjeni për të tretën herë». Ata derdhën ujë për të tretën herë. Uji rrodhi rreth e rrotull altarit dhe vija e kullimit u mbush plot. Kur erdhi koha e kushtimit të flisë, profeti Eli iu afrua altarit e tha: «O Zot, Perëndi i Abrahamit, Isakut e Izraelit, le ta marrin vesh të gjithë sot se ti je Perëndia në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto gjëra i kam bërë me urdhrin tënd. Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Perëndia dhe se ti do t'ua kthesh sërish zemrën drejt teje». Atëherë ra zjarri i Zotit dhe përpiu flinë e shkrumbimit me gjithë drutë, gurët e dheun. Madje, përlau edhe ujin në vijën e kullimit. Kur e pa këtë, mbarë populli ra përmbys me fytyrë përtokë e tha: « Zoti është Perëndia! Zoti është Perëndia!». Atëherë Elia u tha: «Kapini profetët e Baalit dhe të mos ju shpëtojë asnjëri». Ata i kapën dhe Elia i çoi në përroin e Kishonit, ku i vrau të gjithë. Pastaj Elia i tha Ahabit: «Shko të hash e të pish, sepse po dëgjohet ushtima e një shiu të madh». Ahabi shkoi për të ngrënë e për të pirë, ndërsa Elia u ngjit në majë të malit Karmel, u ul përtokë me fytyrën mes gjunjëve e i tha shërbëtorit të tij: «Ngjitu lart e shiko nga ana e detit». Ai u ngjit, pa e i tha: «Nuk shoh gjë». Atëherë Elia i tha: «Kthehu shtatë herë». Herën e shtatë ai i tha: «Shoh një re të vogël sa pëllëmba e njeriut që po vjen nga deti». Atëherë Elia i tha: «Shko e thuaji Ahabit: “Shaloji kuajt e zbrit nga mali, që mos të të zërë shiu”». Pas pak qielli u nxi nga retë e nga era dhe filloi të binte shi me rrëmbim. Ahabi hipi në karrocë dhe u nis për në Izrel. Dora e Zotit ishte me Elinë. Elia ngjeshi brezin, vrapoi para karrocës së Ahabit e mbërriti në Izrel. Ahabi i tregoi Izebelës për gjithçka që kishte bërë Elia dhe si i kishte vrarë me shpatë të gjithë profetët e Baalit. Atëherë Izebela i dërgoi lajm Elisë e i tha: «Keq e më keq ma bëfshin perënditë nëse nesër në këtë kohë nuk të bëj atë që ti i bëre secilit prej profetëve». Elia u tremb dhe u ngrit të ikte për të shpëtuar jetën. Shkoi në Bershebë të Judës dhe atje la shërbëtorin e tij. Vetë mori rrugën e shkretëtirës dhe udhëtoi një ditë. Pastaj u ndal dhe u ul nën një gjineshtër. I kërkoi Zotit të vdiste e i tha: «Mjaft, o Zot! Merrma jetën, se nuk jam më i mirë se të parët e mi». Më pas ra e fjeti nën hijen e gjineshtrës. Papritur e preku një engjëll e i tha: «Çohu e ha». Elia u çua të shohë dhe, ja, te koka ishte një kulaç i pjekur në thëngjij dhe një katruve me ujë. Elia hëngri e piu dhe pastaj u shtri sërish. Engjëlli i Zotit u kthye përsëri, e preku Elinë e i tha: «Çohu e ha, se ke rrugë të gjatë për të bërë». Elia u çua dhe hëngri e piu. Me forcën që i dha ushqimi, eci dyzet ditë e dyzet net, derisa mbërriti në malin e Perëndisë, në Horeb. Kur mbërriti në Horeb, Elia hyri në shpellë dhe atje kaloi natën. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua e i tha: «Ç'bën këtu, Eli?». Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o Zot, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». Zoti i tha: «Dil nga shpella e qëndro në mal në prani të Zotit ». E, ja, po kalonte Zoti. Para se të kalonte Zoti, fryu një erë e furishme dhe e fortë që çante malin e thërrmonte shkëmbinjtë, por Zoti nuk ishte në erë. Pas erës, ra tërmet, por Zoti nuk ishte as në tërmet. Pas tërmetit, shpërtheu zjarri, por Zoti nuk ishte as në zjarr. Pas zjarrit, u dëgjua fërfërima e një puhize të lehtë. Kur dëgjoi fërfërimën, Elia mbuloi fytyrën me gunë, doli jashtë dhe qëndroi te hyrja e shpellës. Papritur, një zë i tha: «Ç'bën këtu, Eli?». Elia u përgjigj: «Të jam përkushtuar me shumë zell, o Zot, Perëndi i ushtrive, por izraelitët e kanë shkelur besëlidhjen tënde, kanë shkatërruar altarët e tu dhe i kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam ngelur vetëm unë dhe po kërkojnë të ma marrin jetën edhe mua». Zoti i tha: «Ngrihu, merre përsëri rrugën e kthimit nëpër shkretëtirë e shko në Damask. Atje do të vajosësh Hazaelin si mbret të Aramit. Jehun, birin e Nimshit, vajose si mbret të Izraelit, ndërsa Eliseun, birin e Shafatit nga Abel Meholahu, vajose si profet në vendin tënd. Kush do t'i shpëtojë shpatës së Hazaelit do të vritet nga Jehu dhe kush do t'i shpëtojë shpatës së Jehut do të vritet nga Eliseu. Në Izrael do të lë gjallë shtatë mijë vetë, ata, gjunjët e të cilëve nuk u përkulën para Baalit dhe goja e të cilëve nuk e puthi». Elia u largua prej andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, tek lëronte arat me dymbëdhjetë pendë qe. Eliseu ishte te penda e dymbëdhjetë. Elia iu afrua dhe i hodhi Eliseut gunën e vet përsipër. Eliseu i la menjëherë qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: «Më lejo të përshëndetem me tim atë e time më, para se të vij pas teje». Elia i tha: «Shko e kthehu. Mos të pengova gjë unë?». Eliseu u kthye pas, mori një pendë qe dhe i kushtoi si fli. Me veglat e lërimit zieu mishin e ua dha njerëzve të hanin. Mandej u çua dhe shkoi pas Elisë e u vu në shërbim të tij. Ben Hadadi, mbreti i Aramit, mblodhi tërë ushtrinë e tij. Me të ishin bashkuar edhe tridhjetë e dy mbretër me kuaj e me qerre lufte. Ai u nis për të sulmuar Samarinë, e rrethoi dhe i hapi luftë. Pastaj i dërgoi lajmëtarë në qytet Ahabit, mbretit të Izraelit, e i thanë: «Ben Hadadi thotë se argjendi dhe ari yt i përkasin atij. Po ashtu edhe gratë e tua dhe bijtë e tu të mirë i përkasin atij». Mbreti i Izraelit iu përgjigj e i tha: «Është siç thua ti, o imzot mbret. Unë dhe gjithçka e imja të përkasim ty». Por lajmëtarët u kthyen sërish e i thanë: «Ben Hadadi thotë se të dërgoi lajmëtarë që t'i jepje argjendin, arin, gratë e tua dhe bijtë e tu. Nesër në këtë kohë do të dërgojë shërbëtorët e tij për të bastisur shtëpinë tënde dhe shtëpitë e shërbëtorëve të tu. Ata do të rrëmbejnë e do të marrin gjithçka që ti çmon». Atëherë mbreti i Izraelit thirri të gjithë pleqësinë e vendit e u tha: «Shikoni sesi ky njeri kërkon të na bëjë keq. Më dërgoi lajmëtarë dhe më kërkoi gratë e mija, bijtë e mi, argjendin dhe arin tim e unë nuk ia mohova». Pleqësia e popullit i tha: «Mos e dëgjo dhe mos prano». Atëherë Ahabi u tha lajmëtarëve të Ben Hadadit: «Thuajini timzoti, mbretit, se gjithçka që i kërkoi shërbëtorit të tij herën e parë, do ta plotësoj, por këtë gjë nuk mund ta bëj». Lajmëtarët u kthyen te Ben Hadadi e i njoftuan përgjigjen. Ben Hadadi i nisi përsëri lajmëtarët që i thanë Ahabit: «Keq e më keq ma bëfshin perënditë nëse pluhuri i Samarisë do të mjaftojë për të mbushur grushtin të gjithë luftëtarët që do të vijnë me mua». Mbreti i Izraelit u përgjigj me këtë thënie: «Thuajini mbretit se kush e ngjesh shpatën për luftë nuk duhet të mburret para atij që e zgjesh pas lufte». Ben Hadadi po pinte bashkë me mbretërit e tjerë nëpër çadra kur i lajmëruan përgjigjen e Ahabit. Atëherë ai u dha urdhër shërbëtorëve të tij të rrethonin qytetin dhe ata e rrethuan. Një profet iu afrua Ahabit, mbretit të Izraelit, e i tha: «Kështu thotë Zoti: “A e shikon gjithë këtë turmë të madhe? Ja, sot do të ta dorëzoj ty, që ta marrësh vesh se unë jam Zoti ”». Ahabi e pyeti: «Me anë të kujt?». Profeti iu përgjigj: «Kështu thotë Zoti: “Me anë të djelmoshave që janë në shërbim të qeveritarëve të krahinave”». Ahabi e pyeti: «Kush e nis betejën?». Profeti i tha: «Ti». Ahabi i vuri në rresht djelmoshat që ishin në shërbim të qeveritarëve të krahinave. Ata numëronin dyqind e tridhjetë e dy luftëtarë. Pastaj rreshtoi të gjithë ushtrinë e izraelitëve që numëronte shtatë mijë luftëtarë. Në mesditë ata u hodhën në sulm. Ndërkohë Ben Hadadi pinte nëpër çadra bashkë me tridhjetë e dy mbretërit që i ishin bashkuar atij. Të parët në sulm u hodhën djelmoshat që ishin në shërbim të qeveritarëve të krahinave. Ben Hadadi dërgoi përgjues e ata i thanë: «Disa luftëtarë kanë dalë nga Samaria». Ai u urdhëroi: «Kapini të gjallë si në paçin dalë për paqe, si në paçin dalë për luftë». Djelmoshat, që ishin në shërbim të qeveritarëve të krahinave, kishin dalë nga qyteti dhe pas tyre vinte ushtria. Secili prej djelmoshave vrau atë që i doli para dhe luftëtarët e Aramit ia mbathën. Izraelitët i ndoqën pas, por Ben Hadadi arriti të shpëtojë e bashkë me të edhe kalorësit. Në sulm u hodh edhe mbreti i Izraelit. Ai goditi kalorësinë bashkë me qerret e luftës dhe bëri kërdinë mbi luftëtarët e Aramit. Atëherë profeti iu afrua mbretit të Izraelit e i tha: «Forca! Merr guxim dhe mendohu mirë për atë që do të bësh, sepse pas një viti mbreti i Aramit do të të sulmojë sërish». Shërbëtorët e mbretit të Aramit i thanë zotërisë së tyre: «Perëndia i izraelitëve është Perëndi malesh, prandaj izraelitët dolën më të fortë se ne. Le të ndeshemi me ta në fushë dhe kemi për të dalë ne më të fortë. Bëj kështu: shkarkoji nga detyra të gjithë mbretërit dhe në vend të tyre cakto qeveritarë. Mandej mblidh një ushtri, sa ajo që kishe, si edhe kuaj e qerre lufte, po aq sa kishe. Do të ndeshemi me ta në fushë dhe kemi për të dalë më të fortë». Ben Hadadi e dëgjoi këshillën e tyre dhe ashtu bëri. Pas një viti, Ben Hadadi, mblodhi ushtrinë e Aramit dhe shkoi në Afek për të luftuar kundër Izraelit. Edhe izraelitët ishin mbledhur për luftë. Si u pajisën me ushqime, u nisën për t'u ndeshur me armiqtë. Izraelitët fushuan përballë ushtrisë së Aramit dhe dukeshin si dy kope të vogla dhish. Ndërsa ushtria e Aramit kishte mbushur vendin. Njeriu i Perëndisë iu afrua mbretit të Izraelit e i tha: «Kështu thotë Zoti: “Meqenëse luftëtarët e Aramit kanë thënë se Zoti është Perëndi malesh e jo Perëndi fushash, unë do të ta dorëzoj tërë këtë turmë, që ta marrësh vesh se unë jam Zoti ”». Qëndruan në fushim përballë njëri-tjetrit për shtatë ditë. Ditën e shtatë filloi beteja dhe izraelitët vranë njëqind mijë këmbësorë në një ditë. Pjesa tjetër e luftëtarëve të Aramit ia mbathën drejt qytetit të Afekut, muret e të cilit ranë dhe zunë poshtë njëzet e shtatë mijë prej tyre. Edhe Ben Hadadi ia mbathi në qytet dhe u fsheh në dhomën e një shtëpie. Atëherë shërbëtorët e tij i thanë: «Kemi dëgjuar se mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë zemërmirë. Prandaj le të vishemi me grathore, le të vëmë litarë në kokë dhe le të shkojmë te mbreti i Izraelit. Ndoshta na lë gjallë». Kështu, pasi u veshën me grathore dhe vunë litarë në kokë, ata shkuan te mbreti i Izraelit e i thanë: «Ben Hadadi, shërbëtori yt, thotë: “Të lutem, ma fal jetën”». Ahabi u tha: «A është ende gjallë? Ai është vëllai im». Të dërguarit e panë këtë si shenjë të mirë, prandaj dhe nxituan të thoshin: «Po, Ben Hadadi është vëllai yt». Ai u tha: «Shkoni dhe silleni këtu». Ben Hadadi shkoi tek Ahabi dhe ai e hipi në karrocën e vet. Atëherë Ben Hadadi i tha: «Qytetet, që im atë i mori tyt eti, do të t'i kthej. Hap tregjet e tua në Damask, siç i ka patur edhe im atë në Samari». Ahabi i tha: «Me këtë besëlidhje që bëmë, po të lë të ikësh». Ahabi bëri një besëlidhje me Ben Hadadin dhe e la të ikte. Zoti i tha njërit prej bijve të profetëve, që t'i thoshte shokut të vet: «Të lutem, më godit!». Shoku i vet nuk pranoi ta godasë. Biri i profetit i tha: «Meqenëse nuk iu binde urdhrit të Zotit, sapo të largohesh prej meje, do të të shqyejë luani». E, vërtet, kur shoku i birit të profetit u largua prej tij, iu vërsul një luan dhe e shqeu. Atëherë i biri i profetit takoi një njeri tjetër e i tha: «Të lutem, më godit!». Ai e rrahu dhe e la të plagosur. Mandej profeti u nis e qëndroi rrugës ku do të kalonte mbreti. Profeti kishte lidhur një pëlhurë mbi sy, që mbreti të mos e njihte. Kur po kalonte mbreti, ai i tha duke thirrur: «Shërbëtori yt ishte duke luftuar në betejë, kur ja, m'u afrua një luftëtar, më solli një rob e më tha: “Ruaje këtë njeri. Nëse të ikën, do ta paguash me jetën tënde ose me tre mijë monedha argjendi”. E ndërsa shërbëtori yt ishte i zënë me punë sa andej-këndej, robi i luftës kishte ikur». Mbreti i Izraelit i tha: «E vendose vetë dënimin tënd». Atëherë profeti hoqi menjëherë pëlhurën nga sytë dhe mbreti i Izraelit e njohu që ishte njëri nga profetët. Profeti i tha: «Kështu thotë Zoti: meqenëse e le të lirë njeriun që kisha caktuar për ta vrarë, do të vdesësh ti në vend të tij dhe populli yt në vend të popullit të tij». Mbreti i Izraelit u kthye në shtëpinë e vet në Samari i pikëlluar dhe i zemëruar. Pas këtyre ngjarjeve ndodhi kështu: Nabot Izreliti kishte një vresht në Izrel, pranë pallatit mbretëror të Ahabit, mbretit të Samarisë. Ahabi i tha Nabotit: «Ma jep mua vreshtin për pronë, që ta bëj kopsht perimesh, sepse e kam pranë shtëpisë. Në këmbim të jap një vresht më të mirë, ose, po të duash, të jap aq para sa vlen». Naboti i tha Ahabit: «Mos e dhëntë Zoti të të jap trashëgiminë e të parëve të mi!». Ahabi u kthye në shtëpi i pikëlluar e i zemëruar nga fjalët e Nabot Izrelitit, që i kishte thënë se nuk do t'ia jepte trashëgiminë e të parëve. Ahabi ra në shtrat, u kthye nga muri dhe nuk hëngri as bukë. Atëherë Izebela, e shoqja, shkoi tek ai dhe e pyeti: «Përse je kaq i pikëlluar e nuk ha bukë?». Ahabi i tha: «Fola me Nabot Izrelitin dhe i kërkova vreshtin për t'ia blerë me para, ose t'ia këmbeja me një vresht tjetër, po të donte, por ai më tha se nuk donte të ma jepte vreshtin». Izebela, e shoqja, i tha: «Ç'bën kështu? A nuk je mbreti i Izraelit? Ngrihu e ha dhe mos të të pikëllohet zemra. Vreshtin e Nabot Izrelitit do të ta jap unë». Izebela shkroi disa letra në emër të Ahabit, i vulosi me vulën e tij dhe ia nisi pleqësisë dhe fisnikëve të qytetit ku banonte Naboti. Ajo shkroi: «Shpallni një agjërim dhe caktoni Nabotin t'i prijë popullit. I vini përballë dy njerëz të poshtër të dëshmojnë kundër tij e të thonë se Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin. Mandej nxirreni jashtë qytetit dhe vriteni me gurë». Pleqësia, fisnikët dhe banorët e qytetit, ku banonte Naboti, bënë siç i kishte urdhëruar Izebela dhe siç ishte shkruar në letrat që kishte dërguar ajo. Shpallën agjërimin dhe caktuan Nabotin në krye të popullit. Dy njerëz të poshtër erdhën dhe u ulën përballë tij. Ata dëshmuan kundër tij para popullit e thanë: «Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin». Atëherë e nxorën Nabotin nga qyteti dhe e vranë me gurë. Mandej i dërguan fjalë Izebelës dhe i thanë se Naboti ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur. Kur Izebela mori lajmin e vrasjes me gurë të Nabotit, i tha Ahabit: «Shko e merre për pronë vreshtin e Nabot Izrelitit, i cili nuk donte të ta shiste. Naboti nuk është më gjallë, vdiq». Kur Ahabi dëgjoi se Naboti kishte vdekur, u ngrit, shkoi te vreshti i Nabot Izrelitit dhe e mori në pronësi. Ndërkohë fjala e Zotit iu drejtua Eli Tishbitit e i tha: «Ngrihu e shko në Samari të takosh Ahabin, mbretin e Izraelit. Ja, do ta gjesh te vreshti i Nabotit, që Ahabi ka shkuar ta marrë në pronësi. Do të flasësh me të e do t'i thuash: “Kështu thotë Zoti: vrave e tani po plaçkit?”. Mandej thuaji: “Kështu thotë Zoti: në vendin ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të lëpijnë edhe gjakun tënd”». Ahabi i tha Elisë: «Më gjete, o armiku im?». Elia i tha: «Të gjeta, sepse shite shpirtin për të bërë ligësi në sytë e Zotit. Do të sjell fatkeqësi mbi ty dhe do t'i zhduk e do t'i shfaros të gjithë meshkujt e shtëpisë së Ahabit në Izrael, skllevër apo të lirë. Do ta bëj shtëpinë tënde si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe si shtëpinë e Bashait, birit të Ahijahut, sepse ke shkaktuar zemërim e ke shtyrë në mëkat Izraelin. Sa për Izebelën, qentë do ta hanë trupin e saj në fushat e Izrelit, thotë Zoti. Qentë do t'i hanë ata të shtëpisë së Ahabit, që do të vdesin në qytet, dhe grabitqarët e qiellit ata që do të vdesin nëpër ara». Në të vërtetë, para Ahabit askush nuk e kishte shitur shpirtin si ai, për të bërë çka është keq në sytë e Zotit, por e nxiti Izebela, gruaja e tij. Ahabi bëri gjëra shumë të pështira dhe u dha pas idhujve, ashtu siç kishin bërë amoritët, që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Kur dëgjoi fjalët e Elisë, Ahabi shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe agjëroi. Flinte i veshur me grathore dhe ecte kokulur. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Eli Tishbitit e i tha: «A e ke parë sa është përulur Ahabi para meje? Për hir të përuljes së tij para meje, nuk do ta dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e tij sa të jetë ai gjallë, por do ta sjell gjatë mbretërimit të të birit». Për tre vjet nuk pati luftë ndërmjet Aramit dhe Izraelit. Vitin e tretë, Joshafati, mbreti i Judës shkoi të takohej me mbretin e Izraelit. Mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të tij: «A e dini se Ramoti i Gileadit na përket neve? Përse nuk bëjmë asgjë për t'ia marrë nga duart mbretit të Aramit?». Atëherë Ahabi i tha Joshafatit: «A do të vish me mua të luftojmë për Ramotin e Gileadit?». Joshafati i tha mbretit të Izraelit: «Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe kuajt e mi janë të tutë». Joshafati i tha Ahabit, mbretit të Izraelit: «Të lutem, veçse, këshillohu që sot me Zotin ». Atëherë mbreti i Izraelit mblodhi profetët, rreth katërqind në numër, e u tha: «A të shkoj në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Profetët i thanë: «Shko, sepse Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit». Por Joshafati pyeti: «A ka ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?». Mbreti i Izraelit iu përgjigj Joshafatit: «Ka edhe një profet tjetër, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin. Është Mikahu, biri i Imlahut, por unë e urrej, sepse ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq». Joshafati i tha: «Mos fol ashtu, o mbret!». Atëherë mbreti i Izraelit thirri një nga zyrtarët e i tha: «Më sill shpejt Mikahun, të birin e Imlahut!». Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, ishin ulur te sheshi pranë portave të qytetit të Samarisë, secili në fronin e vet, veshur me stoli mbretërore, ndërsa profetët profetizonin para tyre. Sedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë hekuri e tha: «Kështu thotë Zoti: me këta brirë do ta shposh tejpërtej Aramin derisa ta shkatërrosh krejt». Po ashtu profetizuan edhe profetët e tjerë e thanë: «Shko në Ramot të Gileadit e të priftë e mbara! Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit». Lajmëtari, që kishte shkuar për të thirrur Mikahun, i tha: «Të gjithë profetët kanë profetizuar njëzëri mbarësi për mbretin. Le të jetë edhe fjala jote e mirë si fjala e tyre e të profetizosh mbarësi». Mikahu i tha: «Pasha Zotin, do të them çfarë të më thotë Zoti ». Mikahu shkoi te mbreti e mbreti i tha: «Mikah, a të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heqim dorë?». Mikahu u përgjigj: «Shko e të priftë e mbara! Zoti do t'ia dorëzojë qytetin mbretit». Por mbreti i tha: «Sa herë duhet të të përbej, që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?». Mikahu i tha: «Pashë mbarë Izraelin të hapërdarë nëpër male si delet pa bari. E Zoti thotë: “Nuk kanë më prijës. Le të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në paqe”». Atëherë mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «A nuk të thashë se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq?». Mikahu i tha: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit: Pashë Zotin të ulur në fron dhe tërë ushtritë qiellore të engjëjve, që i qëndronin në të djathtë e në të majtë. E atëherë Zoti tha: “Kush do ta mashtrojë Ahabin, që të shkojë e të sulmojë Ramotin e Gileadit?”. Njëri thoshte ky e tjetri thoshte ai. Atëherë doli një shpirt, u paraqit para Zotit e tha: “Do ta mashtroj unë”. Zoti e pyeti: “Si?”. Shpirti tha: “Do të shkoj e do t'i bëj të gjithë profetët e tij të thonë gënjeshtra”. Atëherë Zoti i tha: “Po, kështu do ta mashtrosh vërtet. Shko e bëj siç the!”. Kështu, pra, Zoti ka futur një shpirt gënjeshtar në gojën e të gjithë profetëve të tu, sepse në të vërtetë Zoti ka folur për fatkeqësi kundër teje». Atëherë Sedekia, biri i Kenanahut, iu afrua Mikahut, i ra me shpullë në faqe e i tha: «Si doli shpirti i Zotit prej meje, që të flasë përmes teje?». Mikahu iu përgjigj: «Do ta shohësh ditën që do të vraposh për t'u fshehur në dhomën më të thellë të shtëpisë». Atëherë mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritari i qytetit, dhe te Joashi, djali i mbretit, e thuajuni ta fusin në burg me urdhër të mbretit dhe ta ushqejnë vetëm me pak bukë e ujë, derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë». Mikahu i tha: «Nëse vërtet kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje». E shtoi: «Mbani vesh, të gjithë ju, o njerëz!». Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, shkuan për të sulmuar Ramotin e Gileadit. Mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «Unë do të ndërroj rrobat për të mos u njohur e do të shkoj për të luftuar, ndërsa ti mbaj veshur rrobat mbretërore». Mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkoi për të luftuar. Mbreti i Aramit u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të qerreve të luftës: «Mos sulmoni as luftëtarin e thjeshtë e as krerët e tyre, por vetëm mbretin e Izraelit». Kur prijësit e qerreve panë karrocën e Joshafatit, menduan se ishte mbreti i Izraelit, prandaj dhe iu vërsulën. Joshafati ia dha ulërimës. Prijësit e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit dhe hoqën dorë nga ndjekja. Por një luftëtar tendosi rastësisht harkun dhe shigjeta goditi mbretin e Izraelit mes brezit e parzmores. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: «Kthehu e më nxirr nga beteja, sepse jam plagosur». Atë ditë beteja qe shumë e ashpër. Mbretin e Izraelit e mbështetën mbi karrocën e tij ballë për ballë me luftëtarët e Aramit. Në mbrëmje mbreti vdiq. Gjaku i plagës kishte rrjedhur deri poshtë karrocës. Kur po perëndonte dielli, në mbarë fushën e betejës u dha kushtrimi: «Secili të kthehet në qytetin e vet! Secili në vendin e vet!». Kështu, mbreti vdiq dhe e sollën për ta varrosur në Samari. Kur lanë karrocën e mbretit te një pellg i madh uji në Samari, qentë lëpinë gjakun e tij dhe laviret u lanë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti. Bëmat e tjera të Ahabit dhe të gjitha veprat e tij, pallati prej fildishi dhe të gjitha qytetet që ndërtoi, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Ahabin e varrosën me paraardhësit e tij. Pas tij mbretëroi Ahazjahu, i biri. Në vitin e katërt të mbretërimit të Ahabit, mbretit të Izraelit, Joshafati u bë mbreti i Judës. Joshafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur u bë mbret. Ai mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jerusalem. E ëma e Joshafatit ishte bija e Shilhiut dhe quhej Azuba. Joshafati u soll si i ati, Asai. Nuk u shmang e bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit. Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan dhe populli vazhdonte të kushtonte fli dhe të digjte temjan në to. Joshafati jetoi në paqe me mbretin e Izraelit. Bëmat e tjera të Joshafatit, trimëritë dhe luftrat që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Joshafati i zhduku prej vendit lavirët e kultit, që kishin mbetur nga koha e mbretërimit të Asait, atit të tij. Në atë kohë nuk kishte mbret në Edom, por vetëm një qeveritar të caktuar nga mbreti i Judës. Joshafati ndërtoi edhe anije në Tarshish, që të shkonin në Ofir për të marrë ar, por dërgata nuk ia doli mbanë, sepse anijet u shkatërruan në Ecjon Geber. Atëherë Ahazjahu, biri i Ahabit, i tha Joshafatit që detarët e Ahaziahut dhe të Joshafatit të lundronin bashkë, por Joshafati nuk pranoi. Joshafati u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit, paraardhësit të tij. Pas Joshafatit mbretëroi Jehorami, i biri. Në vitin e shtatëmbëdhjetë të mbretërimit të Joshafatit, mbretit të Judës, Ahazjahu, biri i Ahabit, u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për dy vjet në Samari. Ahazjahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll si i ati, si e ëma dhe si Jeroboami, biri i Nebatit, që e shtyu Izraelin në mëkat. Ai i shërbeu Baalit dhe e adhuroi, duke ndezur zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati. Pas vdekjes së Ahabit, Moabi u ngrit kundër Izraelit. Një ditë mbreti Ahazjah ra nga hekurat e dritares së dhomës së sipërme në Samari e u lëndua. Ai dërgoi disa njerëz, që të merrnin vesh prej Baal Zebubit, perëndisë së Ekronit, në do të shërohej a jo. Atëherë engjëlli i Zotit i tha Eli Tishbitit: «Ngrihu e shko të takosh të dërguarit e mbretit të Samarisë e thuaju: “A nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj, kështu thotë Zoti: prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”». Mandej Elia u largua. Të dërguarit u kthyen te mbreti e ai i pyeti: «Përse u kthyet?». Ata iu përgjigjën: «Na doli përpara një burrë e na tha: “Kthehuni te mbreti, që ju dërgoi, e thuajini: kështu thotë Zoti: a nuk paska Perëndi në Izrael, që shkoni për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj, prej shtratit, ku ke rënë, nuk ke për t'u ngritur e aty ke për të vdekur”». Mbreti i pyeti: «Si ishte nga pamja burri që ju doli përpara e ju tha këto gjëra?». Ata iu përgjigjën: «Ishte njeri leshtor dhe rreth ijëve kishte ngjeshur një brez lëkure». Ai u tha: «Është Eli Tishbiti». Mbreti Ahazjah dërgoi një nga kryepesëdhjetësit me pesëdhjetë luftëtarë për ta kapur Elinë. Ata shkuan tek Elia dhe e gjetën duke ndenjur në majë të malit. Atëherë kreu i njësisë ushtarake i tha: «O njeri i Perëndisë, mbreti ka urdhëruar të zbresësh». Elia iu përgjigj kreut të njësisë ushtarake: «Nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë prej qiellit zjarri e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë luftëtarët e tu». Atëherë ra zjarr prej qiellit dhe e përpiu kreun e njësisë ushtarake me gjithë pesëdhjetë luftëtarët e tij. Mbreti dërgoi sërish një tjetër kryepesëdhjetës me pesëdhjetë luftëtarë. Kreu i njësisë ushtarake i tha Elisë: «O njeri i Perëndisë, kështu thotë mbreti: “Zbrit poshtë menjëherë!”». Elia i tha atij dhe luftëtarëve të tij: «Nëse unë jam njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarri prej qiellit e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë luftëtarët e tu». Atëherë ra zjarr prej qiellit dhe e përpiu kreun e njësisë ushtarake me gjithë pesëdhjetë luftëtarët e tij. Mbreti dërgoi për herë të tretë një tjetër kryepesëdhjetës me pesëdhjetë luftëtarë. Kreu i tretë i njësisë ushtarake shkoi tek Elia, ra në gjunjë para tij dhe iu përgjërua me këtë fjalë: «O njeri i Perëndisë, të lutem të të vijë keq për jetën time dhe për jetën e këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu. Dy kryepesëdhjetësit e parë dhe pesëdhjetë luftëtarët e tyre i përpiu zjarri, që zbriti prej qiellit. Tani, po të lutem, të të dhimbset jeta ime». Atëherë engjëlli i Zotit i tha Elisë: «Zbrit me të e mos ki frikë prej tij». Elia zbriti nga mali, shkoi te mbreti e i tha: «Kështu thotë Zoti: meqenëse ke dërguar njerëz për të pyetur Baal Zebubin, perëndinë e Ekronit, a thua se nuk paska Perëndi në Izrael, nuk ke për t'u ngritur nga shtrati ku ke rënë e aty ke për të vdekur». Ahazjahu vdiq sipas fjalës që kishte thënë Zoti përmes profetit Elia. Pas Ahazjahut, në vitin e dytë të mbretërimit të Jehoramit, birit të Joshafatit, në Judë, mbretëroi i vëllai, Jehorami, sepse Ahazjahu nuk kishte djalë. Bëmat e tjera të Ahazjahut janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Ja çfarë ndodhi kur Zoti e mori Elinë me anë të vorbullës në qiell: Elia dhe Eliseu ishin nisur nga Gilgali. Elia i tha Eliseut: «Ti ndalu këtu, se mua Zoti më ka dërguar deri në Betel». Por Eliseu i tha: «Pasha Zotin dhe pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm. Kështu, shkuan të dy në Betel». Në Betel, Eliseut i dolën përpara bijtë e profetëve, që rrinin atje, e i thanë: «A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd lart në qiell?». Ai iu përgjigj: «Po, e di, por heshtni». Pastaj Elia i tha: «Elise, ti qëndro këtu, se mua Zoti më ka dërguar në Jeriko». Por Eliseu i tha: «Pasha Zotin e pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm». Kështu, shkuan të dy në Jeriko. Bijtë e profetëve, që rrinin në Jeriko, i dolën përpara Eliseut e i thanë: «A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd lart në qiell?». Ai iu përgjigj: «Po, e di, por heshtni». Elia i tha sërish Eliseut: «Ti qëndro këtu, se mua Zoti më ka dërguar në Jordan». Por Eliseu i tha: «Pasha Zotin e pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm. Kështu, ata u nisën të dy». Edhe pesëdhjetë nga bijtë e profetëve shkuan me ta, por u ndalën përballë tyre në njëfarë largësie, ndërsa Elia me Eliseun u ndalën në breg të Jordanit. Atëherë Elia mori gunën, e palosi dhe me të i ra ujit. Uji i lumit u nda më dysh dhe ata kaluan nëpër tokë të thatë. Kur kaluan matanë, Elia i tha Eliseut: «Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrë Zoti prej teje». Eliseu u përgjigj: «Të lutem, dua që të vijë mbi mua dyfishi i shpirtit tënd profetik». Elia i tha: «Ke kërkuar një gjë të vështirë. Megjithatë, po të më shohësh kur të më marrë Zoti prej teje, do ta fitosh atë që kërkove. Po të mos më shohësh, nuk do ta fitosh». Ata po ecnin duke biseduar, kur ia behu një karrocë e zjarrtë me kuaj të zjarrtë, që i ndau nga njëri-tjetri. Atëherë Elia u mor në qiell me një vorbull ere. Kur e pa këtë gjë, Eliseu thërriti: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Nuk e pa më Elinë, por hoqi rrobat e i shqeu më dysh. Mandej mori gunën, që i kishte rënë Elisë, u kthye dhe qëndroi në breg të Jordanit. Me gunën, që i kishte rënë Elisë, goditi ujin e tha: «Ku është Zoti, Perëndia i Elisë?». I ra ujit me gunë dhe uji i lumit u nda më dysh. Eliseu kaloi në bregun tjetër. Bijtë e profetëve që rrinin në Jeriko, kur panë nga larg çfarë ndodhi, thanë: «Shpirti i Elisë ka zbritur mbi Eliseun». Atëherë shkuan për ta takuar Eliseun, u përkulën para tij deri në tokë e i thanë: «Ja, bashkë me ne, shërbëtorët e tu, ndodhen këtu edhe pesëdhjetë burra të fortë. Lëri të shkojnë e të kërkojnë zotërinë tënd, sepse ndoshta shpirti i Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur në ndonjë mal apo në ndonjë luginë». Eliseu u tha: «Mos i dërgoni». Por ata ngulën këmbë aq shumë, saqë ai pranoi e u tha: «Nisini!». Pesëdhjetë burrat u nisën dhe e kërkuan Elinë për tri ditë, por nuk e gjetën. Atëherë ata u kthyen tek Eliseu, që rrinte në Jeriko. Ai u tha: «A nuk ju thashë të mos shkoni?». Banorët e qytetit të Jerikosë i thanë Eliseut: «Siç e sheh edhe zotëria ynë, qyteti ynë ndodhet në vend të mirë, por uji është i keq dhe toka nuk është pjellore». Eliseu u tha: «Më sillni një enë të re të mbushur me kripë». Ata ia sollën. Ai shkoi te burimi i ujërave, hodhi kripën në të e tha: «Kështu thotë Zoti: ja tek i shërova këto ujëra! Nuk kanë për të shkaktuar më as vdekje e as shterpësi». Kështu, ujërat e Jerikosë u pastruan. Ato janë të pastra edhe sot e kësaj dite, sipas fjalës që tha Eliseu. Prej andej Eliseu shkoi në Betel. Rrugës i dolën përpara disa djem të rinj nga qyteti dhe e tallën duke i thënë: «Ngjite maloren, o tullac! Ngjite, o tullac!». Eliseu u kthye për t'i parë dhe i mallkoi në emër të Zotit. Atëherë prej pyllit ia behën dy arusha dhe shqyen dyzet e dy djem të rinj. Prej andej Eliseu shkoi në malin Karmel e pastaj u kthye në Samari. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Joshafatit në Judë, Jehorami, biri i Ahabit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Samari. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit, por jo si i ati dhe e ëma, sepse ai hoqi përmendoren e Baalit, që kishte ndërtuar i ati. Megjithatë, Jehorami nuk u largua prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatojë. Meshai, mbreti i Moabit, ishte blegtor dhe i jepte mbretit të Izraelit si tagër njëqind mijë qengja dhe leshin e njëqind mijë deshve. Por pas vdekjes së Ahabit, mbreti i Moabit u ngrit kundër mbretit të Izraelit. Atëherë mbreti Jehoram u nis nga Samaria dhe thirri nën armë mbarë Izraelin. Ai i çoi fjalë edhe Joshafatit, mbretit të Judës, e i tha: «Mbreti i Moabit është ngritur kundër meje. A do të vish me mua të luftojmë kundër tij?». Joshafati iu përgjigj: «Do të vij. Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe kuajt e mi janë të tutë». Pastaj Joshafati e pyeti: «Nga cila rrugë do të shkojmë?». Jehorami iu përgjigj: «Nga rruga e shkretëtirës së Edomit». Kështu, mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit u nisën bashkë dhe marshuan për shtatë ditë, duke i rënë rrotull shkretëtirës. Por nuk kishin më ujë për ushtrinë dhe për kafshët, që kishin me vete. Atëherë mbreti i Izraelit tha me zë të lartë: «Mjerë ne! Zoti na paska bashkuar ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». Joshafati tha: «A ka këtu ndonjë profet të Zotit që me anë të tij të këshillohemi me Zotin?». Një nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj: «Po, Eliseu, biri i Shafatit, i cili i shërbente Elisë». Joshafati tha: «Fjala e Zotit është me të». Atëherë mbreti i Izraelit, Joshafati dhe mbreti i Edomit shkuan tek Eliseu. Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Ç'punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate». Por mbreti i Izraelit i tha: «Jo, sepse Zoti na ka mbledhur ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». Atëherë Eliseu i tha: «Pasha Zotin e ushtrive, të cilit i shërbej, po të mos ishte për Joshafatin, mbretin e Judës, ty nuk do të të jepja rëndësi e nuk do të të hidhja as sytë. E tani më sillni një muzikant». Teksa muzikanti po i binte veglës muzikore, fuqia e Zotit erdhi mbi Eliseun e ai tha: «Kështu thotë Zoti: hapni sa më shumë gropa në këtë luginë, sepse, siç thotë Zoti, ndonëse nuk do të shihni as erë e as shi, kjo luginë do të mbushet me ujë e do të pini ju me gjithë bagëtitë e kafshët tuaja. Kjo nuk është asgjë për Zotin, sepse ai do t'ju dorëzojë edhe Moabin. Do t'i shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet e rëndësishme. Do t'i prisni të gjitha pemët e mira, do të mbyllni të gjitha burimet dhe çdo arë të mirë do ta mbushni me gurë». Të nesërmen në mëngjes, në kohën kur po kushtonin flinë, ia behën ujërat nga ana e Edomit dhe i gjithë vendi u mbush me ujë. Kur moabitët dëgjuan se tre mbretërit kishin ardhur për të luftuar kundër tyre, thirrën nën armë të gjithë ata që kishin moshën e që mund të mbanin armë, dhe u rreshtuan në kufi. Në mëngjes, moabitët u ngritën herët, panë diellin, që ndriçonte mbi ujërat dhe i bënte të dukeshin të kuqe si gjaku, e thanë: «Ky është gjak! Mbretërit paskan luftuar me njëri-tjetrin e kanë vrarë njëri-tjetrin. Përpara, o moabitë, rrëmbeni plaçkën e luftës!». Kur iu afruan fushimit të Izraelit, luftëtarët e Izraelit u ngritën e u hodhën në sulm kundër moabitëve. Moabitët morën arratinë, por izraelitët i ndoqën pas e i vranë. Mandej ata shkatërruan qytetet e Moabit dhe tokat e mira i mbushën me gurët që hodhën të gjithë. Burimet e ujërave i mbyllën dhe pemët e mira i prenë. Kishin mbetur vetëm muret e Kir Harashetit, por edhe atë e rrethuan luftëtarët me hobe dhe e sulmuan. Mbreti i Moabit pa se beteja po bëhej tepër e ashpër për të, prandaj mori me vete shtatëqind luftëtarë me shpata e iu vërsul mbretit të Edomit, por nuk ia dolën mbanë. Atëherë ai mori djalin e tij të parëlindur, trashëgimtarin e fronit, dhe e kushtoi si fli shkrumbimi mbi muret e qytetit. Kjo gjë i neveriti izraelitët, saqë u larguan prej andej e u kthyen në tokën e tyre. Një nga gratë e bijve të profetëve iu përgjërua Eliseut e i tha: «Shërbëtori yt, burri im, vdiq. Ti e di se shërbëtori yt e druante Zotin. Tani ka ardhur një nga huadhënësit për të më marrë dy djemtë e për t'i bërë skllevër». Eliseu i tha: «Më thuaj, çfarë mund të bëj për ty? Çfarë të ka mbetur në shtëpi?». Ajo iu përgjigj: «Shërbëtores sate nuk i ka mbetur asgjë, përveç një qypi me vaj». Eliseu i tha: «Shko e merr hua nga fqinjët e tu sa më shumë enë të zbrazura që të mundesh. Shko në shtëpi me gjithë fëmijët dhe mbylle derën nga brenda. Pastaj hidh vaj në të gjithë qypat dhe çdo qyp që do të mbushet plot vëre mënjanë». Gruaja u largua, hyri në shtëpi me gjithë fëmijët dhe mbylli derën nga brenda. Ata i sillnin qypat e ajo i mbushte. Kur u mbushën enët, ajo i tha djalit të saj: «Më sill edhe një enë». Ai i tha: «Nuk ka më enë». Atëherë vaji u ndal. Gruaja shkoi e i tregoi Eliseut, njeriut të Perëndisë, për çka ndodhi. Ai i tha: «Shko shite vajin e ktheji huan huadhënësit. Me vajin që tepron, do të jetosh ti dhe djemtë e tu». Një ditë Eliseu shkoi në Shunem. Një grua fisnike që jetonte aty nguli këmbë që Eliseu të hante bukë në shtëpinë e saj. Që prej asaj dite Eliseu kthehej në shtëpinë e saj për të ngrënë, sa herë që i binte rruga nga Shunemi. Ajo grua i tha burrit të vet: «Jam e bindur se ky njeri i Perëndisë, që kalon shpesh nga ne, është njeri i shenjtë. Le t'i ndërtojmë, të lutem, një dhomë të vogël në katin e sipërm dhe le të vëmë në të një shtrat, një tryezë, një ndenjëse dhe një shandan, që kur të kalojë nga ne, të rrijë atje». Një ditë Eliseu kaloi nga ajo shtëpi, u ngjit në dhomën e sipërme dhe u shtri. Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: «Thirre gruan shunamite». Ai e thirri e ajo u paraqit para tij. Atëherë i tha sërish Gehazit, shërbëtorit të tij: «Të lutem, thuaji se ajo është kujdesur shumë për ne. Çfarë do të donte të bëja për të? Do të donte që të flisja për të me mbretin apo me kreun e ushtrisë?». Gruaja iu përgjigj: «Jetoj mes njerëzve të mi». Atëherë Eliseu pyeti Gehazin: «Çfarë mund të bëja për të?». Gehazi iu përgjigj: «Ajo nuk ka fëmijë dhe burrin e ka plak». Eliseu i tha Gehazit ta thërriste. Gehazi e thirri dhe gruaja u ndal te dera. Eliseu i tha: «Si sot pas një viti ke për të shtrënguar një djalë në gji». Ajo i tha: «Mos, imzot! Mos e gënje shërbëtoren tënde, o njeri i Perëndisë!». Por gruaja u ngjiz dhe në të njëjtën stinë pas një viti lindi djalin, ashtu siç i kishte thënë Eliseu. Djali u rrit dhe një ditë shkoi tek i ati, që ishte me korrësit. Papritur i tha të atit: «Koka! Koka!». I ati i tha shërbëtorit: «Merre djalin e çoje tek e ëma». Shërbëtori e mori djalin dhe e çoi tek e ëma. Ajo e mbajti djalin në prehër, por në mesditë ai vdiq. Atëherë ajo u ngjit në dhomën e sipërme, e shtriu djalin në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli derën dhe doli nga dhoma. Mandej thirri të shoqin e i tha: «Më dërgo, të lutem, një shërbëtor dhe një gomar, që të shkoj shpejt te njeriu i Perëndisë e të kthehem». Ai e pyeti: «Përse po shkon tek ai? Sot nuk është as hënë e re e as e shtunë». Ajo i tha: «Rri i qetë!». Pastaj shaloi gomarin e i tha shërbëtorit: «Dil përpara e jepi shpejt! Mos u ndal për mua pa të urdhëruar unë». Kështu, ajo u nis e shkoi te njeriu i Perëndisë në malin Karmel. Njeriu i Perëndisë e pa nga larg e i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: «Shiko, po vjen gruaja shunamite. Shko dili shpejt përpara e pyete në është mirë dhe në e ka mirë burrin dhe djalin». Gruaja iu përgjigj: «Mirë!». Kur mbërriti te njeriu i Perëndisë në mal, ajo i ra te këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: «Lëre të qetë, sepse i është hidhëruar shpirti. Zoti më ka fshehur diçka e nuk ma ka treguar». Atëherë ajo i tha Eliseut: «A të kërkova gjë djalë, imzot? A nuk të thashë të mos më mashtroje?». Atëherë Eliseu i tha shërbëtorit të tij: «Ngjishe brezin për udhë, merr shkopin tim e nisu. Mos u ndal për të përshëndetur askënd udhës dhe, po të të përshëndetë ndokush, mos u përgjigj. Shko dhe vëre shkopin tim mbi fytyrën e djalit». Por e ëma e djalit i tha: «Pasha Zotin dhe pasha jetën tënde, nuk do të të lë!». Atëherë Eliseu u ngrit dhe shkoi pas saj. Gehazi mbërriti para tyre dhe e vuri shkopin e Eliseut mbi fytyrën e djalit, por djali nuk nxori zë e nuk lëvizi. Pastaj u kthye tek Eliseu e i tregoi se djali nuk ishte zgjuar. Eliseu mbërriti te shtëpia e gruas e, ja, fëmija dergjej i vdekur mbi shtrat. Ai hyri brenda, vetëm me fëmijën në dhomë, mbylli derën nga pas e iu lut Zotit. Pastaj hipi mbi shtrat, u shtri mbi fëmijën dhe e vuri gojën e vet mbi gojën e fëmijës, sytë e vet mbi sytë e fëmijës dhe duart e veta mbi duart e fëmijës. Teksa ishte shtrirë duke ndenjur mbi fëmijën, trupi i fëmijës filloi të ngrohej. Eliseu u ngrit e filloi të ecte sa andej këndej nëpër dhomë. Pastaj hipi mbi shtrat e u shtri përsëri mbi fëmijën. Atëherë fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë. Eliseu thirri Gehazin e i tha: «Thirre gruan shunamite». Gehazi e thirri dhe, kur ajo erdhi, Eliseu i tha: «Merre djalin!». Atëherë gruaja ra përmbys te këmbët e Eliseut e u përkul deri në tokë. Pastaj mori djalin e doli. Ndërkohë në vend kishte rënë zia e bukës. Eliseu u kthye në Gilgal dhe para tij rrinin ulur bijtë e profetëve. Atëherë Eliseu i tha shërbëtorit të vet: «Vër në zjarr rrethjen e madhe e gatuaj një gjellë për bijtë e profetëve». Njëri prej bijve të profetëve shkoi nëpër ara për të mbledhur barishte për gjellën dhe gjeti një bimë të egër kacavjerrëse. I voli boçat e bimës, mbushi gunën dhe pasi u kthye, i preu në copa e i hodhi në rrethjen e gjellës, pa e ditur se ç'ishin. Kur u dhanë për të ngrënë, ata e provuan gjellën e thirrën: «Në rrethje na pret vdekja, o njeri i Perëndisë!». Askush nuk hëngri dot. Atëherë Eliseu tha: «Më sillni miell!». E hodhi miellin në rrethje e tha: «Jepuni njerëzve për të ngrënë!». Dhe nuk pati më asgjë të keqe. Një herë erdhi një njeri nga Baal Shalishahu dhe i solli njeriut të Perëndisë njëzet bukë elbi nga korrja e parë dhe disa kallinj të freskët gruri. Eliseu tha: «Jepu njerëzve të hanë». Por shërbëtori i tij i tha: «Si t'ua vë këto përpara njëqind burrave?». Eliseu i tha: «Jepu njerëzve të hanë, sepse kështu thotë Zoti: do të hanë e do t'u teprojnë». Shërbëtori ua vuri përpara burrave dhe ata hëngrën e u teproi, sipas fjalës së Zotit. Namani, kreu i ushtrisë së mbretit të Aramit, ishte njeri me peshë dhe i nderuar prej zotërisë së vet, sepse me anë të tij Zoti e kishte shpëtuar Aramin, por, ndonëse luftëtar trim e i fuqishëm, ai vuante nga lebra. Gjatë një sulmi që kishin bërë disa çeta nga Arami në tokat e Izraelit, kishin rrëmbyer një vajzë të vogël, e cila ishte bërë shërbyesja e gruas së Namanit. Një ditë vajza i tha zonjës së saj: «Sikur imzot të shkonte te profeti që është në Samari, ai do ta kishte shëruar nga lebra». Namani shkoi e foli me mbretin, zotërinë e tij, e i tha: «Kështu e kështu më ka thënë një vajzë nga Izraeli». Mbreti i Aramit i tha Namanit: «Nisu për udhë e unë do t'i dërgoj një letër mbretit të Izraelit». Namani u nis dhe me vete mori treqind kilogramë argjend, gjashtëdhjetë kilogramë ar dhe dhjetë palë ndërresash. Kur mbërriti, i dha mbretit të Izraelit letrën, në të cilën thuhej: «Bashkë me këtë letër po të dërgoj edhe shërbëtorin tim, Namanin, që ta shërosh nga lebra». Kur e lexoi letrën, mbreti i Izraelit shqeu rrobat e tha: «Mos jam gjë perëndia unë, i cili ka pushtetin për të sjellë vdekjen apo jetën, që ky më dërgon këtë njeri për ta shëruar nga lebra? Shihni, ai po kërkon shkak për t'u ngatërruar me mua». Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, dëgjoi se mbreti i Izraelit kishte shqyer rrobat, i çoi fjalë mbretit e i tha: «Përse i shqeve rrobat? Lëre të vijë tek unë, që ta dijë se në Izrael ka profet». Namani shkoi me kuaj e me karroca e u ndal te dera e shtëpisë së Eliseut. Por Eliseu i dërgoi një lajmëtar e i tha: «Shko e lahu shtatë herë në lumin Jordan dhe trupi yt do të shërohet e do të pastrohet nga lebra». Namani u zemërua e iku duke thënë: «Ja, unë prisja që ai të dilte për të më takuar, të qëndronte para meje, të thërriste emrin e Zotit, Perëndisë së tij, të vinte dorën në plagë e të më shëronte nga lebra. A nuk janë lumenjtë e Damaskut, Abana e Farfari, më të mirë se të gjithë ujërat e Izraelit? Pse, nuk mund të lahesha në to e të shërohesha?». Kështu, ai u kthye e u largua tejet i zemëruar. Por shërbëtorët iu afruan e i thanë: «Imzot, po të të kishte kërkuar profeti një gjë të vështirë, a nuk do ta bëje? Përse të mos bësh çfarë të tha dhe të shkosh të lahesh e të pastrohesh?». Atëherë Namani shkoi në Jordan, u la shtatë herë, siç e kishte urdhëruar njeriu i Perëndisë, dhe trupi iu shërua e iu bë i pastër si trupi i një djaloshi. Menjëherë Namani u kthye te njeriu i Perëndisë me gjithë shpurën e tij, qëndroi përpara tij e i tha: «Ja, tani unë e di se nuk ka Perëndi tjetër në mbarë dheun, përveçse në Izrael. E tani prano, të lutem, një dhuratë nga shërbëtori yt». Eliseu i tha: «Pasha Zotin, të cilit i shërbej, nuk e marr». Namani iu përgjërua të pranonte, por Eliseu nuk pranoi. Atëherë Namani i tha: «Meqenëse nuk pranon, të lutem, më lejo të marr pak dhe, aq sa mbajnë dy mushka. Shërbëtori yt nuk do t'i kushtojë më as fli shkrumbimi e as ndonjë fli tjetër perëndive të tjerë, përveç Zotit. Por, Zoti ta falë shërbëtorin tënd, kur të shkojë me zotërinë e tij në tempullin e Rimonit. Kur zotëria im shkon atje, mbështetet mbi dorën time, e unë duhet të përkulem për të adhuruar në tempullin e Rimonit. Zoti e faltë shërbëtorin tënd për këtë gjë». Eliseu i tha: «Shko në paqe!». Namani nuk ishte larguar shumë, kur Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me vete: «Imzot e kurseu Namanin, këtë arameasin, dhe nuk ia mori dhuratat që kishte sjellë me vete. Pasha Zotin, po shkoj me vrap pas tij e po i marr ndonjë gjë». Kështu, Gehazi e ndoqi pas Namanin. Namani e pa që po vraponte, prandaj zbriti nga karroca për ta takuar e i tha: «Je mirë?». Gehazi iu përgjigj: «Mirë jam! Imzot më dërgoi të të them se sapo mbërritën për ta parë dy djelmosha nga malësia e Efraimit, bij të profetëve, e të lutet t'u japësh atyre tridhjetë kilogramë argjend dhe dy palë ndërresa». Namani i tha: «Merr më mirë gjashtëdhjetë kilogramë» dhe nguli këmbë që t'i merrte. Gjashtëdhjetë kilogramët i futi në dy thasë, vuri edhe dy palë ndërresa dhe ua dha dy prej shërbëtorëve të tij që t'i mbanin, duke ecur para Gehazit. Kur mbërritën te kodra, Gehazi i mori dhuratat nga shërbëtorët e Namanit dhe i futi në shtëpi. Pastaj i nisi dy shërbëtorët e ata ikën. Mandej Gehazi shkoi e u paraqit tek Eliseu, zotëria i vet, i cili e pyeti: «Ku ishe, Gehaz?». Gehazi iu përgjigj: «Shërbëtori yt nuk ishte askund». Eliseu i tha: «Unë isha aty me shpirt, kur ai njeri zbriti nga karroca për t'u takuar me ty. Vallë, tani ishte çasti për të marrë argjend, rroba, ullishta, vreshta, dele, lopë, shërbëtorë e shërbëtore? Prandaj, lebra e Namanit do të bjerë mbi ty e mbi pasardhësit e tu përjetë». Gehazi doli nga shtëpia e Eliseut i zbardhur si dëbora, prej lebrës. Bijtë e profetëve i thanë Eliseut: «Vendi ku banojmë, këtu pranë teje, është tepër i ngushtë për ne. Na lejo të shkojmë deri në Jordan e të marrim secili nga një tra për të ndërtuar atje një shtëpi të re». Ai u tha: «Shkoni!». Njëri nga bijtë e profetëve i tha Eliseut: «Eja edhe ti me shërbëtorët e tu». Eliseu i tha: «Po vij». Eliseu shkoi me ta. Kur mbërritën në Jordan, ata filluan të presin pemë. Ndërsa njëri prej tyre po priste një pemë, hekuri i sëpatës i ra në ujë. Atëherë ai bërtiti: «Sa keq, imzot! Këtë sëpatë e kisha marrë hua». Njeriu i Perëndisë e pyeti: «Ku ra?». Ai i tregoi vendin. Eliseu këputi një copë dru, e hodhi në atë vend dhe, ja, hekuri i sëpatës doli mbi ujë. Pastaj Eliseu i tha: «Kape!». Ai shtriu dorën dhe e mori. Mbreti i Aramit i shpalli luftë Izraelit. Ai u këshillua me shërbëtorët e tij dhe vendosi: «Ushtria ime do të fushojë në atë vend». Njeriu i Perëndisë i dërgoi lajm mbretit të Izraelit e i tha: «Bëj kujdes se mos kalon nëpër atë vend, sepse atje kanë zënë pritë luftëtarët e Aramit». Atëherë mbreti i Izraelit dërgoi luftëtarë te vendi që i tregoi njeriu i Perëndisë. Kjo u përsërit më shumë se dy herë. Eliseu e paralajmëronte mbretin dhe mbreti bënte kujdes për t'u mbrojtur. Shumë i tronditur në zemër nga kjo ngjarje, mbreti i Aramit thirri shërbëtorët e tij e u tha: «A mund të më thoni kush nga ju mban anën e mbretit të Izraelit?». Një nga shërbëtorët iu përgjigj: «Askush, imzot mbret, por profeti Elise që është në Izrael ia tregon mbretit të Izraelit të gjitha fjalët që ti thua në dhomën e gjumit». Mbreti tha: «Shkoni e shihni ku gjendet, që të dërgoj njerëz për ta kapur». E lajmëruan e i thanë se Eliseu gjendej në Dotan. Atëherë mbreti i Aramit dërgoi kalorës, karroca lufte dhe shumë luftëtarë, që mbërritën natën dhe rrethuan qytetin. Të nesërmen, shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit herët dhe, kur doli jashtë, pa një ushtri me kuaj e karroca lufte, që kishte rrethuar qytetin. Shërbëtori i tha Eliseut: «Ah, imzot, çfarë do të bëjmë?». Eliseu iu përgjigj: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta». Pastaj Eliseu u lut e tha: «O Zot, të lutem, hapi sytë e shërbëtorit tim, që të shikojë!». Atëherë Zoti ia hapi sytë shërbëtorit të Eliseut dhe, ja, përreth Eliseut pa malin të mbushur me kuaj e me karroca të zjarrta. Kur armiqtë u hodhën në sulm kundër Eliseut, ai iu lut Zotit e tha: «Të lutem, verboi të gjithë këta njerëz!». Atëherë Zoti i verboi, që të mos shihnin më, sipas kërkesës së Eliseut. Atëherë Eliseu u tha: «Nuk është kjo udha e as ky qyteti. Ejani pas meje e do t'ju shpie te njeriu që kërkoni». Kështu, Eliseu i çoi në Samari. Kur mbërritën në Samari, Eliseu tha: «O Zot, hapua sytë këtyre njerëzve, që të shohin». Atëherë Zoti ua hapi sytë e ja, ata ndodheshin në mes të Samarisë. Mbreti i Izraelit, sapo i pa, i tha Eliseut: «A t'i vras, ati im? A t'i vras?». Eliseu iu përgjigj: «Mos i vrit! A vriten me shpatë ata që zihen robër? Vëru përpara bukë e ujë, që të hanë e të pinë, e pastaj nisi te zotëria i tyre». Atëherë mbreti shtroi një darkë të madhe për ta e ata hëngrën e pinë. Pastaj mbreti i nisi e ata u kthyen te zotëria i tyre. Çetat e Aramit nuk erdhën më për të plaçkitur tokat e Izraelit. Pas këtyre ngjarjeve, Ben Hadadi, mbreti i Aramit, mblodhi gjithë ushtrinë e tij dhe shkoi e rrethoi Samarinë. Për shkak të rrethimit, Samarinë e pllakosi një zi buke aq e madhe, saqë një kokë gomari kushtonte tetëdhjetë sikla argjendi dhe gjysmë kilogram glasë pëllumbash pesë sikla argjendi. Një ditë, kur mbreti i Izraelit po kalonte nëpër muret e qytetit, një grua i thirri: «Ndihmë, o imzot, mbret!». Mbreti iu përgjigj: «Po nuk të shpëtoi Zoti, si do të të shpëtoj unë? Me grurë nga lëmi apo me verë nga torku?». Pastaj e pyeti: «Çfarë të ka ndodhur?». Ajo iu përgjigj: «Kjo grua më tha: “Sille djalin tënd që ta hamë sot, ndërsa nesër hamë djalin tim”. Kështu, e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm, por kur i kërkova të nesërmen të sillte djalin e saj për ta ngrënë, ajo e kishte fshehur». Kur dëgjoi fjalët e gruas, mbreti shqeu rrobat. Teksa ecte mbi muret e qytetit, populli pa se kishte veshur një grathore drejt e në mish. Atëherë mbreti tha: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, po nuk ia preva sot kokën Eliseut, birit të Shafatit». Ndërkohë Eliseu po rrinte në shtëpi dhe me të ishte ulur edhe pleqësia. Mbreti i dërgoi një lajmëtar para se të shkonte vetë. Pa arritur lajmëtari, Eliseu i tha pleqësisë: «Ja, biri i vrasësit ka dërguar njerëz të më presin kokën. Bëni kujdes! Kur të mbërrijë lajmëtari, mbylleni derën e mos e lini të hyjë. Ja tek dëgjohen prapa hapat e zotërisë së tij». Eliseu po fliste ende me pleqësinë, kur ia behu mbreti që i tha: «E gjithë kjo fatkeqësi vjen prej Zotit! Çfarë të pres më nga Zoti?». Eliseu iu përgjigj: «Ja se ç'thotë Zoti: “Nesër në këtë kohë, në portat e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël e dy masa elbi do të kushtojnë po një sikël”». Por prijësi ushtarak, tek i cili mbështetej mbreti, u përgjigj e i tha njeriut të Perëndisë: «Edhe sikur Zoti të hapë dritare e t'i dërgojë nga qielli, kjo nuk ka për të ndodhur». Eliseu i tha: «Do ta shohësh me sytë e tu, por nuk do të hash». Katër burra të lebrosur qëndronin para portës së qytetit. Ata i thanë njëri-tjetrit: «Përse po rrimë këtu duke pritur vdekjen? Po të hyjmë në qytet, do të vdesim nga uria që ka pllakosur qytetin. Po të qëndrojmë këtu, prapë do të vdesim. Prandaj, ejani të shkojmë në fushimin e Aramit! Po të na lënë gjallë, do të jetojmë, po të na vrasin, le të vdesim». Kështu, ata u ngritën në muzg dhe shkuan në fushimin e Aramit. Kur mbërritën në fund të fushimit, nuk gjetën askënd. Zoti kishte bërë të dëgjohej në fushim një zhurmë qerresh lufte e kuajsh, një zhurmë ushtrie të madhe. Luftëtarët e Aramit i kishin thënë njëri-tjetrit: «Mbreti i Izraelit paska paguar mbretërit e hititëve dhe të egjiptianëve për të luftuar kundër nesh». Prandaj, luftëtarët e Aramit ishin ngritur rrëmbimthi në muzg për të ikur, duke lënë pas tendat, kuajt dhe gomarët e tyre dhe e kishin braktisur fushimin për të shpëtuar jetën. Të lebrosurit mbërritën në fund të fushimit dhe u futën në një tendë, ku hëngrën e pinë. Morën nga tenda argjend, ar e rroba dhe shkuan e i fshehën. Pastaj shkuan në një tendë tjetër dhe morën edhe plaçkat e saj e i fshehën. Por më pas i thanë njëri-tjetrit: «Nuk po veprojmë drejt. Kjo ditë është ditë lajmi të mirë. Nëse heshtim e presim deri në mëngjes, mund të ndëshkohemi. Prandaj ejani të shkojmë e të lajmërojmë pallatin e mbretit». Kështu, ata shkuan dhe thirrën derëtarët e qytetit e u thanë: «Shkuam në fushimin e Aramit dhe nuk kishte njeri e as nuk dëgjohej zë njeriu. Ishin vetëm kuajt e gomarët të lidhur dhe tendat e ngritura». Derëtarët e përcollën lajmin deri në pallatin e mbretit. Mbreti u ngrit në mes të natës e u tha shërbëtorëve të tij: «Po jua shpjegoj unë çka po na bëjnë luftëtarët e Aramit. Ata e dinë mirë se po vuajmë nga uria, prandaj kanë dalë nga fushimi e janë fshehur nëpër ara, duke menduar se ne do të dalim nga qyteti, që të na kapin pastaj të gjallë e të pushtojnë qytetin». Njëri prej shërbëtorëve i tha: «Dërgo, të lutem, pesë nga kuajt që kanë mbetur. Me ta ka për të ndodhur si me gjithë këtë popull të Izraelit që ka mbetur ende. Ka për të ndodhur si me gjithë atë popull të Izraelit, që mori fund. Le t'i dërgojmë e le të shohim!». Atëherë morën dy karroca me kuaj dhe me urdhër të mbretit shkuan pas gjurmëve të ushtrisë së Aramit për të parë ku ishin. Ata ndoqën gjurmët e tyre deri në Jordan dhe panë se rruga ishte plot me rrobat e me pajisjet që ushtria e Aramit kishte hedhur rrugës duke ikur. Lajmëtarët u kthyen e i treguan mbretit. Atëherë populli doli nga qyteti dhe plaçkiti fushimin e Aramit. Një masë maje mielli kushtonte një sikël dhe dy masa elbi kushtonin po një sikël, sipas fjalës së Zotit. Mbreti ia kishte besuar ruajtjen e portës së qytetit prijësit ushtarak, mbi dorën e të cilit mbështetej. Por populli e shtypi te porta e ai vdiq, sipas fjalës që kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur mbreti kishte shkuar për ta takuar. Ndodhi sipas fjalës që njeriu i Perëndisë i kishte thënë mbretit, se të nesërmen në atë kohë, te portat e Samarisë, dy masa elbi do të kushtonin një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtonte po një sikël. Por prijësi ushtarak i ishte përgjigjur njeriut të Perëndisë e i kishte thënë se edhe sikur Zoti të hapte dritare e t'i dërgonte nga qielli, kjo nuk kishte për të ndodhur. Por Eliseu i kishte thënë se ai do ta shihte me sytë e tij, por nuk do të hante. E ashtu ndodhi. Populli e shkeli me këmbë te porta e ai vdiq. Eliseu i kishte thënë gruas që i kishte ngjallur djalin: «Ngrihu e ik me gjithë familjen tënde dhe shkoni për të banuar në ndonjë vend të huaj, sepse Zoti do të dërgojë në këtë vend urinë, e cila do të zgjatë shtatë vjet». Gruaja ishte ngritur, siç i kishte thënë njeriu i Perëndisë, dhe ishte larguar bashkë me familjen e saj e kishte banuar në vendin e filistinëve për shtatë vjet. Pas shtatë vjetësh, ajo u kthye nga vendi i filistinëve dhe shkoi t'i kërkojë mbretit, që t'i kthehej shtëpia dhe ara. Mbreti po bisedonte me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, të cilin e kishte pyetur: «Më trego, të lutem, të gjitha bëmat e mëdha të Eliseut». Gehazi po i tregonte mbretit sesi Eliseu kishte ngjallur një të vdekur, kur ia behu gruaja, së cilës Eliseu i kishte ngjallur djalin, për t'i kërkuar mbretit që t'i kthehej shtëpia dhe ara. Atëherë Gehazi tha: «Imzot mbret, kjo është gruaja dhe ky është djali i saj, të cilin Eliseu e ngjalli!». Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen. Atëherë mbreti urdhëroi njërin nga zyrtarët e tij e i tha: «Kthejini asaj të gjithë pronat dhe të gjitha të ardhurat e arës së saj, që nga dita kur ajo u largua nga vendi e deri tani». Eliseu shkoi në Damask. Ben Hadadi, mbreti i Aramit, ishte sëmurur. E lajmëruan e i thanë se kishte mbërritur njeriu i Perëndisë. Atëherë mbreti i tha Hazaelit: «Merr një dhuratë e shko të takosh njeriun e Perëndisë. Kërkoji që të pyesë Zotin, nëse do të shërohem nga kjo sëmundje». Kështu, Hazaeli shkoi për t'u takuar me Eliseun dhe mori me vete, si dhuratë për të, dyzet deve të ngarkuara me tërë të mirat e Damaskut. Kur mbërriti, qëndroi para tij e i tha: «Shërbëtori yt, Ben Hadadi, mbreti i Aramit, më ka dërguar të të pyes nëse do të shërohet nga sëmundja që ka». Eliseu i tha: «Shko e thuaji: “Do të shërohesh”. Por Zoti më ka treguar, se në të vërtetë ka për të vdekur». Papritur njeriu i Perëndisë mbeti si i ngrirë dhe fytyra iu skuq. Pastaj filloi të qante. Hazaeli e pyeti: «Përse po qan, imzot?». Eliseu iu përgjigj: «Sepse e di sa të këqija do t'u bësh izraelitëve. Do t'u vësh zjarrin fortesave të tyre, djemtë e tyre të rinj do t'i kalosh në teh të shpatës, foshnjat do t'ua bësh copë e çikë dhe grave të tyre shtatzëna do t'u çash barkun». Hazaeli i tha: «E kush na qenka shërbëtori yt, një qen, që të bëjë gjëra kaq të mëdha?». Eliseu iu përgjigj: « Zoti më tregoi se ti do të bëhesh mbreti i Aramit». Mandej Hazaeli u largua prej Eliseut e u kthye te zotëria tij. Ai e pyeti: «Çfarë të tha Eliseu?». Hazaeli iu përgjigj: «Më tha se ke për t'u shëruar». Të nesërmen Hazaeli mori një mbulesë, e zhyti në ujë dhe e vuri mbi fytyrën e mbretit. Mbreti vdiq. Në vend të tij mbretëroi Hazaeli. Në vitin e pestë të mbretërimit të Joramit, birit të Ahabit, në Izrael, në Judë u bë mbret Jehorami, biri i Joshafatit, mbretit të Judës. Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret dhe sundoi për tetë vjet në Jerusalem. Ai u soll si mbretërit e Izraelit dhe ndoqi shembullin e shtëpisë së Ahabit, sepse ishte martuar me bijën e Ahabit. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit. Megjithatë Zoti nuk donte ta shkatërronte Judën, për shkak të premtimit, që i kishte bërë Davidit, shërbëtorit të tij, se pasardhësit e tij do të mbretëronin përherë si një pishtar i ndezur. Gjatë mbretërimit të Jehoramit, Edomi ngriti krye kundër sundimit të Judës dhe shpalli mbretin e vet. Atëherë Jehorami kaloi kufirin në Cair, bashkë me të gjitha qerret e luftës. Edomitët e rrethuan Jehoramin me gjithë prijësit e qerreve të luftës. Atëherë ai u ngrit natën e i sulmoi. Kështu, luftëtarët e Judës ia dolën t'ia mbathnin për në shtëpi. Edomi nuk i është nënshtruar më sundimit të mbretërisë së Judës edhe sot e kësaj dite. Në të njëjtën kohë ngriti krye edhe Libnahu. Bëmat e tjera të Jehoramit dhe gjithçka bëri, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Jehorami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Pas tij u bë mbret Ahazjahu, i biri. Në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Joramit, të birit të Ahabit, në Izrael, Ahazjahu, biri i Jehoramit, u bë mbreti i Judës. Ahazjahu ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për një vit në Jerusalem. E ëma quhej Atalia dhe ishte bija e Omriut, mbretit të Izraelit. Ahazjahu u soll si shtëpia e Ahabit dhe bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ahabit, sepse ishte dhëndër i asaj shtëpie. Ai u bashkua me Joramin, të birin e Ahabit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Aramit, në Ramot të Gileadit. Arameasit e plagosën Joramin. Mbreti Joram u kthye në Izrel për t'u shëruar nga plagët, që i shkaktuan arameasit në Ramah gjatë betejës kundër Hazaelit, mbretit të Aramit. Ahazjahu, biri i Jehoramit, mbreti i Judës, shkoi në Izrel për ta takuar Joramin, birin e Ahabit, që dergjej i sëmurë. Profeti Elise thirri një nga bijtë e profetëve e i tha: «Ngjishe brezin, merr këtë enë me vaj e shko në Ramot të Gileadit. Kur të kesh mbërritur atje, kërko Jehun, birin e Joshafatit, të birit të Nimshit. Hyr në shtëpinë e tij, thirre mënjanë nga vëllezërit e vet dhe shko vetëm me të në një dhomë. Pastaj merr enën me vaj, derdhja mbi kokë e thuaji: “Kështu thotë Zoti: po të vajos mbret të Izraelit”. Mandej hap derën dhe largohu pa u vonuar». Djaloshi, shërbëtori i profetit, shkoi në Ramot Gilead. Kur mbërriti atje, i gjeti prijësit e ushtrisë tek rrinin ulur. Djaloshi tha: «Kam një fjalë me ty, o prijës». Jehu e pyeti: «Me cilin prej nesh?». Djaloshi iu përgjigj: «Me ty, o prijës». Jehu u ngrit dhe hyri në shtëpi. Atëherë djaloshi i derdhi vajin mbi kokë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Po të vajos mbret për popullin e Zotit, Izraelin. Do të vrasësh shtëpinë e Ahabit, zotërisë tënd, që të marrësh hak për gjakun e profetëve, shërbëtorëve të mi, dhe për gjakun e të gjithë shërbëtorëve të Zotit, që ka derdhur Izebela. Shtëpia e Ahabit do të zhduket e unë do t'i shfaros të gjithë meshkujt e saj në Izrael, qofshin skllevër apo të lirë. Do të veproj me shtëpinë e Ahabit si me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe me shtëpinë e Bashait, birit të Ahijahut. Izebelën do ta hanë qentë në fushat e Izrelit dhe askush s'ka për ta varrosur”». Pastaj djaloshi hapi derën e iku. Jehu u kthye te shërbëtorët e zotërisë së tij e njëri prej tyre e pyeti: «Je mirë? Përse erdhi te ti ai i marrë?». Jehu iu përgjigj: «Ju e njihni atë lloj njeriu dhe përçartjet e tij». Ata i thanë: «Po gënjen. Na trego!». Jehu u tha: «Ai më tha kështu e ashtu. Më tha se Zoti thotë: po të vajos mbret të Izraelit». Atëherë ata i hoqën shpejt e shpejt gunat, i shtruan nëpër shkallë nën këmbët e Jehut, u ranë borive dhe brohoritën: «Jehu është mbret!». Jehu, biri i Joshafatit, të birit të Nimshit, doli kundër Joramit. Në atë kohë Jorami me mbarë Izraelin ishin duke mbrojtur Ramotin e Gileadit prej Hazaelit, mbretit të Aramit. Mandej mbreti Jehoram ishte kthyer në Izrel për t'u shëruar nga plagët që i kishin shkaktuar arameasit gjatë betejës me Hazaelin, mbretin e Aramit. Kështu, Jehu u tha atyre që ishin me të: «Nëse, pra, jeni me mua, të mos dalë askush nga qyteti, që të mos shkojë e të tregojë në Izrel». Mandej Jehu i hipi karrocës dhe u nis për në Izrel se atje dergjej Jorami. Ahazjahu, mbreti i Judës, kishte shkuar për ta parë. Roja që vrojtonte nga kulla e Izrelit pa trupën e Jehut duke ardhur e tha: «Po shoh një turmë njerëzish!». Jehorami i tha: «Dërgo një kalorës t'i takojë e t'i pyesë: “Vini në paqe?”». Kalorësi shkoi të takojë Jehun dhe e pyeti: «Kështu thotë mbreti: “Vini në paqe?”». Jehu iu përgjigj: «Ç'punë ke ti me paqen? Kalo mbrapa e më ndiq!». Rojtari lajmëroi sërish: «I dërguari mbërriti tek ata, por nuk u kthye pas». Atëherë mbreti dërgoi një kalorës të dytë. Edhe kur kalorësi i dytë mbërriti tek ata, u tha: «Kështu thotë mbreti: “Vini në paqe?”». Jehu i tha: «Ç'punë ke ti me paqen? Kalo mbrapa e më ndiq». Roja lajmëroi e tha: «Kalorësi mbërriti tek ata, por nuk u kthye pas. Nga të ngarët e karrocës duket si Jehu, biri i Nimshit, sepse ai nget si i marrë». Atëherë Jehorami urdhëroi: «Bëni gati karrocën!». Si i bënë gati karrocën, Jehorami, mbreti i Izraelit, doli bashkë me Ahazjahun, mbretin e Judës. Secili kishte hipur në karrocën e vet. Ata shkuan për të takuar Jehun dhe e ndeshën në pronën e Nabot Izrelitit. Kur pa Jehun, Jehorami e pyeti: «Vjen në paqe, Jehu?». Jehu iu përgjigj: «Çfarë paqeje, kur ende vazhdojnë kurvëritë dhe magjitë e shumta të nënës sate, Izebelës?». Atëherë Jehorami u kthye pas dhe, duke ia mbathur, i tha Ahazjahut: «Tradhti, Ahazjah!». Por Jehu rrëmbeu harkun dhe e goditi Jehoramin midis shpatullave. Shigjeta i shpoi zemrën tejpërtej dhe Jehorami u plandos i vdekur mbi karrocë. Atëherë Jehu i tha Bidcarit, prijësit ushtarak: «Merre dhe hidhe në pronën e Nabot Izrelitit, sepse më kujtohet fjala që tha Zoti, kur unë dhe ti shoqëronim me kuaj Ahabin, të atin: “Gjakun e Nabotit dhe gjakun e bijve të tij, që pashë të derdhej dje, kumton Zoti, do ta marr prej teje po në këtë arë, kumton Zoti ”. Prandaj, merre dhe hidhe në arë, sipas fjalës së Zotit ». Kur pa këtë, Ahazjahu, mbreti i Judës, ia mbathi në drejtim të Bet Haganit, por Jehu e ndoqi nga pas. Ai kishte dhënë urdhër ta godisnin edhe Ahazjahun. Ahazjahun e plagosën në karrocën e tij përpjetës për në Gur, pranë Ibleamit, por ai ia doli të ikte në Megido, ku edhe vdiq. Shërbëtorët e çuan Ahazjahun me karrocë në Jerusalem dhe e varrosën me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Ahazjahu ishte bërë mbret i Judës në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Joramit. Kur mbërriti Jehu në Izrel, Izebela e mori vesh, prandaj leu sytë, stolisi kokën dhe doli në dritare për të parë. Kur Jehu po kalonte portën e qytetit, ajo i tha: «Vjen në paqe, o Zimri, vrasësi i zotërisë tënd?». Jehu ngriti sytë për nga dritarja e tha: «Kush është me mua? Kush? Dy a tre eunukë u përkulën nga dritarja për të parë Jehun». Ai i urdhëroi: «Hidheni poshtë!». Ata e hodhën poshtë dhe gjaku i saj stërpiku muret dhe kuajt. Mandej Jehu kaloi me karrocë mbi kufomën e saj. Ai hyri brenda, hëngri e piu dhe tha: «Shkoni e merruni me atë grua të mallkuar dhe varroseni, sepse është bijë mbreti». Kur shkuan për ta varrosur, nuk i gjetën gjë tjetër veç kafkës, këmbëve dhe pëllëmbëve të duarve. U kthyen e i treguan Jehut. Atëherë ai tha: «Kjo ishte fjala që Zoti tha përmes profetit Eli Tishbitit: qentë do ta hanë mishin e Izebelës në fushat e Izrelit. Kufoma e Izebelës do të shpërndahet si pleh anekënd fushave të Izrelit e askush nuk do të mund të thotë: “Kjo është Izebela”». Ahabi kishte shtatëdhjetë bij, që jetonin në Samari. Jehu u dërgoi letra zyrtarëve të Samarisë, pleqësisë së Izrelit dhe kujdestarëve të bijve të Ahabit, ku shkruante: «Ju që kujdeseni për bijtë e zotërisë suaj dhe zotëroni karroca, kuaj, qytete të fortifikuara dhe armë, zgjidhni birin më të mirë e më të përshtatshëm të zotërisë suaj, vëreni të ulet mbi fronin e të atit dhe luftoni për familjen e zotërisë suaj». Por ata u trembën shumë e thanë: «Ja, nuk u bënë dot ballë dy mbretër e si do t'i bëjmë ne?». Atëherë mbikëqyrësi i pallatit mbretëror, qeveritari i qytetit, pleqësia dhe kujdestarët e bijve të mbretit i dërguan lajm Jehut e i thanë: «Jemi shërbëtorët e tu dhe do të bëjmë ç'të thuash ti. Nuk do të caktojmë asnjë mbret. Bëj si të të duket më mirë». Atëherë Jehu u shkroi një letër të dytë e u tha: «Nëse jeni me mua dhe nëse më dëgjoni mua, merrini kokat e djemve të zotërisë suaj dhe ejani nesër në këtë orë tek unë në Izrel». Shtatëdhjetë bijtë e mbretit qëndronin me fisnikët e qytetit, të cilët i rritnin. Sapo u mbërriti letra, i morën shtatëdhjetë bijtë e mbretit e i vranë. Kokat e tyre i vunë nëpër shporta dhe ia çuan Jehut në Izrel. Një lajmëtar erdhi e i tha: «I sollën kokat e bijve të mbretit». Atëherë Jehu tha: «Vërini te porta e qytetit të ndarë në dy pirgje, deri në mëngjes». Të nesërmen në mëngjes, Jehu doli, qëndroi para gjithë popullit e tha: «Ju jeni të drejtë, ndërsa unë u ngrita kundër Joramit, zotërisë tim, dhe e vrava. Po të gjithë këta kush i vrau? Dijeni, pra, se asnjë nga fjalët që tha Zoti kundër shtëpisë së Ahabit nuk ra poshtë dhe se Zoti bëri atë që kishte thënë përmes shërbëtorit të tij, Elisë». Atëherë Jehu vrau të gjithë ata që kishin mbetur në Izrel prej shtëpisë së Ahabit, të gjithë fisnikët, të njohurit dhe priftërinjtë e tij, pa lënë gjallë asnjë prej tyre. Mandej Jehu u ngrit për të shkuar në Samari. Gjatë rrugës, kur po mbërrinte në Beteked të Barinjve, hasi vëllezërit e Ahazjahut, mbretit të Judës, e i pyeti: «Kush jeni ju?». Ata i thanë: «Jemi vëllezërit e Ahazjahut dhe kemi ardhur të përshëndetim bijtë e mbretit dhe bijtë e nënës mbretëreshë». Atëherë Jehu urdhëroi: «Kapini të gjallë!». I kapën të gjallë dhe i vranë pranë pusit të Betekedit. Ishin dyzet e dy burra e nuk shpëtoi asnjë prej tyre. Kur u largua prej andej, Jehu hasi Jehonadabin, birin e Rekabit, i cili ishte nisur për ta takuar. Jehu e bekoi e i tha: «A është besnike zemra jote ndaj meje, siç është besnike zemra ime ndaj teje?». Jehonadabi i tha: «Po». Jehu iu përgjigj: «Nëse është, jepma dorën». Ai zgjati dorën, Jehu e mori me vete në karrocë e i tha: «Eja me mua e shiko zellin tim për Zotin ». Jehu e mbajti Jehonadabin në karrocën e tij gjatë udhës. Kur mbërritën në Samari, Jehu vrau të gjithë të mbijetuarit e shtëpisë së Ahabit, që gjendeshin në qytet, derisa e shfarosi krejt shtëpinë e Ahabit, sipas fjalës që i kishte thënë Zoti Elisë. Jehu mblodhi gjithë popullin e i tha: «Ahabi i ka shërbyer pak Baalit. Jehu do t'i shërbejë më shumë. Prandaj m'i thërrisni këtu të gjithë profetët e Baalit, të gjithë ata që i shërbejnë dhe të gjithë priftërinjtë e tij. Të mos mungojë asnjë, sepse dua t'i kushtoj Baalit një fli të madhe. Kush mungon, do të vritet». Por Jehu e bëri këtë gjë me dredhi, për t'i shfarosur të gjithë ata që i shërbenin Baalit. Pastaj Jehu tha: «Shpallni një të kremte të shenjtë në nder të Baalit». Ata e shpallën të kremten e shenjtë. Jehu dërgoi lajmëtarë në mbarë Izraelin dhe të gjithë ata që i shërbenin Baalit erdhën në të kremte. Nuk mbeti njeri pa shkuar. Hynë të gjithë në tempullin e Baalit dhe tempulli u mbush cep më cep. Jehu i tha kujdestarit të veshjeve: «Nxirrni veshjet për të gjithë ata që i shërbejnë Baalit». Kujdestari ua solli veshjet. Atëherë Jehu shkoi bashkë me Jehonadabin, birin e Rekabit, në tempullin e Baalit e u tha shërbëtorëve të Baalit: «Shihni mirë se mos ka ndonjë shërbëtor të Zotit këtu mes jush. Të jenë vetëm shërbëtorët e Baalit». Kështu, ata hynë për të kushtuar therore dhe fli shkrumbimi. Jehu kishte vënë përjashta tetëdhjetë burra, të cilëve u kishte thënë: «Nëse ndonjëri prej jush lë të ikë ndonjë prej këtyre njerëzve që po ju dorëzoj, do ta paguajë me jetën e vet». Pas kushtimit të flisë së shkrumbimit, Jehu u dha urdhër rojave dhe prijësve ushtarakë: «Hyni dhe vritini! Të mos ju shpëtojë asnjë!». Rojat dhe prijësit ushtarakë i kaluan në teh të shpatës, i hodhën kufomat jashtë dhe hynë në shenjtëroren e tempullit të Baalit. Nxorën prej andej përmendoret e shenjta të tempullit të Baalit dhe i dogjën. Pasi shkatërruan përmendoren e shenjtë, e shkatërruan tempullin e Baalit dhe e kthyen në nevojtore, siç është edhe sot e kësaj dite. Kështu, Jehu e zhduku Baalin prej Izraelit. E megjithatë ai nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e shtyu Izraelin në mëkat dhe nuk hoqi dorë nga viçat e artë në Betel e në Dan. Atëherë Zoti i tha Jehut: «Meqenëse veprove mirë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi, dhe zbatove gjithçka që doja kundër shtëpisë së Ahabit, pasardhësit e tu do të ulen mbi fronin e Izraelit deri në brezninë e katërt». Por Jehu nuk dëgjoi e nuk eci me gjithë zemër sipas ligjit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Ai nuk u kthye prej mëkateve të Jeroboamit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat. Në atë kohë, Zoti filloi t'i marrë toka Izraelit. Hazaeli i mposhti izraelitët në të gjithë kufijtë në lindje të Jordanit dhe pushtoi mbarë tokën e Gileadit, që i përkiste fiseve të Gadit, Rubenit dhe Manaseut, që nga Aroeri në luginën e Arnonit e deri në Gilead e në Bashan. Bëmat e tjera të Jehut, të gjitha veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Jehu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi Jehoahazi, i biri. Jehu mbretëroi mbi Izraelin për njëzet e tetë vjet në Samari. Kur Atalia, nëna e Ahazjahut, pa se i biri vdiq, i shfarosi të gjithë pasardhësit mbretërorë. Por Jehosheba, bija e mbretit Joram dhe motra e Ahazjahut, e rrëmbeu fshehurazi Joashin, të birin e Ahazjahut, nga mesi i bijve të mbretit, që ishin për t'u vrarë, bashkë me tajën e tij, dhe i fshehu prej Atalisë në një nga dhomat e gjumit. Kështu, Joashi nuk u vra. Ai ndenji i fshehur për gjashtë vjet në tempullin e Zotit bashkë me tajën e tij, për aq kohë sa mbretëroi Atalia. Në vitin e shtatë, Jehojadai thirri kryeqindësit e truprojave të mbretit dhe të rojave, që të shkonin tek ai në tempullin e Zotit. Ai bëri një besëlidhje me ta, i vuri të përbetoheshin në tempullin e Zotit, u tregoi birin e mbretit dhe u urdhëroi: «Ja se ç'duhet të bëni: një e treta e atyre prej jush, që marrin shërbimin të shtunën, do të ruajnë pallatin mbretëror, një e treta portën e Surit dhe një e treta portën e pasme të rojave. Ruajeni pallatin nga të gjitha anët. Dy njësitë e tjera të atyre prej jush, që e lënë shërbimin të shtunën, do të ruajnë mbretin në tempullin e Zotit. Do të qëndroni rreth e rrotull mbretit me armë në dorë dhe do të vrisni këdo që do t'u afrohet radhëve tuaja. Do ta shoqëroni mbretin kudo që të shkojë». Kryeqindësit bënë siç u urdhëroi prifti Jehojada. Secili prej tyre mblodhi luftëtarët e vet, që do të merrnin apo do të linin shërbimin të shtunën, e shkoi te prifti Jehojada. Prifti u dha kryeqindësve ushtat dhe shqytet, që kishte pasur mbreti David e që gjendeshin në tempullin e Zotit. Rojat u vendosën të armatosur përpara tempullit, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tij, për të mbrojtur mbretin nga çdo anë. Atëherë Jehojadai nxori birin e mbretit, i vuri kurorën në kokë dhe i dorëzoi rrotullën dhe dëshminë. Pastaj e vajosën mbret, duartrokitën e brohoritën: «Rroftë mbreti!». Atalia dëgjoi brohoritjen e rojave dhe të popullit, prandaj shkoi bashkë me popullin në tempullin e Zotit. Kur pa mbretin tek qëndronte pranë shtyllës së tempullit, sipas zakonit, luftëtarët dhe borizanët, që i qëndronin pranë, dhe popullin, që gëzonte e u binte borive, ajo shqeu rrobat e bërtiti: «Tradhti! Tradhti!». Atëherë prifti Jehojada urdhëroi kryeqindësit e ushtrisë e u tha: «Nxirreni jashtë nga rradhët tuaja dhe vritni me shpatë këdo që i shkon pas». Veçse, u kishte thënë, që të mos e vrisnin brenda në tempullin e Zotit. Ata e kapën dhe e vranë sapo ajo arriti në pallatin mbretëror, te hyrja e udhës së kuajve. Jehojadai bëri një besëlidhje mes Zotit, mbretit dhe popullit, që populli t'i përkiste Zotit. Bëri edhe një besëlidhje mes mbretit dhe popullit. Atëherë mbarë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi. Altarët dhe idhujt e tij i rrënuan, ndërsa Matanin, priftin e Baalit, e vranë para altarëve. Mandej Jehojadai caktoi sërish roja rreth tempullit të Zotit. Ai mblodhi kryeqindësit, truprojat e mbretit, rojat e mbarë popullin dhe e shoqëruan mbretin nga tempulli i Zotit për në pallatin mbretëror përmes Portës së Rojave. Mbreti Joash u ul në fronin e mbretërve. Mbarë populli i vendit u gëzua dhe qyteti ra në paqe pasi Atalia u vra me shpatë në pallatin mbretëror. Jehoashi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë. Ai u bë mbret në vitin e shtatë të mbretërimit të Jehut në Izrael. Jehoashi mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem. E ëma quhej Cibia dhe ishte nga Bersheba. Jehoashi bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë jetës, sepse e kishte mësuar prifti Jehojada. Megjithatë, faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime e temjan në to. Jehoashi u tha priftërinjve: «Të gjitha paratë që sillen në tempullin e Zotit për shërbesat e shenjta, paratë që paguhen si detyrim, që kushtohen si shpagim jete apo që sillen me dëshirë, t'i marrin priftërinjtë, secili nga të afërmit e vet, dhe të ndreqin dëmtimet e tempullit, kudo që të jenë». Por në vitin e njëzet e tretë të mbretërimit të Jehoashit, priftërinjtë nuk i kishin ndrequr ende dëmtimet e tempullit. Atëherë mbreti Jehoash thirri priftin Jehojada bashkë me priftërinjtë e tjerë e u tha: «Përse nuk i keni ndrequr dëmtimet e tempullit? Që tani mos i merrni më ju paratë nga të afërmit tuaj, por i lini për ndreqjen e dëmtimeve të tempullit». Priftërinjtë pranuan të mos merrnin më para nga populli dhe të mos merreshin më me ndreqjen e dëmtimeve të tempullit. Prifti Jehojada mori një arkë, i hapi një vrimë në kapak dhe e vuri pranë altarit, në anën e djathtë të hyrjes së tempullit të Zotit. Priftërinjtë që ruanin pragun e tempullit, hidhnin në arkë të gjitha paratë që silleshin në tempullin e Zotit. Kur shihnin se arka mbushej me para, vinte shkruesi i mbretit me kryepriftin, i mblidhnin paratë e hedhura në tempullin e Zotit dhe i numëronin. Pasi i peshonin, paratë ua jepnin mbikëqyrësve të punimeve në tempullin e Zotit. Këta paguanin me to drugdhendësit, ndërtuesit, që punonin në tempullin e Zotit, muratorët dhe gurgdhendësit, që blinin drurin dhe gurët e latuar që nevojiteshin për ndreqjen e tempullit të Zotit, si dhe mbulonin të gjitha shpenzimet për ndreqjen e tempullit. Por me paratë që u hodhën në tempullin e Zotit, nuk u punuan as legenë argjendi, as thika, as kupa, as trumbeta, as enë ari e as enë argjendi, sepse iu dhanë punëtorëve për të ndrequr tempullin e Zotit. Atyre që u jepeshin paratë për t'ua dhënë punëtorëve, nuk u kërkohej llogari, sepse punonin me ndershmëri. Paratë e dhëna si fli faji apo si fli mëkati nuk hidheshin në tempullin e Zotit, sepse u përkisnin priftërinjve. Në atë kohë Hazaeli, mbreti i Aramit, u hodh në sulm kundër Gatit dhe e pushtoi. Mandej vendosi të sulmojë Jerusalemin. Atëherë Jehoashi, mbreti i Judës, mori të gjitha sendet e shenjta që paraardhësit e tij, Joshafati, Jehorami dhe Ahazjahu, mbretër të Judës, i kishin kushtuar Zotit, sendet e shenjta që ai vetë kishte kushtuar, si edhe tërë arin, që gjendej në thesarin e tempullit të Zotit e të pallatit mbretëror, dhe ia dërgoi Hazaelit, mbretit të Aramit, i cili u tërhoq nga Jerusalemi. Bëmat e tjera të Jehoashit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Disa nga shërbëtorët e Jehoashit ngritën krye kundër tij dhe e vranë në Bet Milo, tatëpjetës për në Sila. Jehoashin e goditën shërbëtorët e tij Jozabadi, biri i Shimeatit, dhe Jehozabadi, biri i Shomerit, e ai vdiq. Populli e varrosi me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amacjahu. Në vitin e njëzetetretë të mbretërimit të Joashit, birit të Ahazjahut, në Judë, Jehoahazi, biri i Jehut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Samari. Jehoahazi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk hoqi dorë së bëri të njëjtat mëkate si Jeroboami, biri i Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat. Kështu, zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe Zoti i dorëzoi për shumë kohë te Hazaeli, mbreti i Aramit, dhe te Hadadi, biri i Hazaelit. Por Jehoahazi iu përgjërua Zotit dhe Zoti e dëgjoi, sepse e pa sesi mbreti i Aramit e shtypte Izraelin. Kështu, Zoti i dërgoi Izraelit një çlirimtar. Populli i Izraelit shpëtoi nga zgjedha e Aramit dhe izraelitët banuan nëpër tendat e tyre si më parë. E megjithatë ata nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhduan të mëkatojnë. Edhe shtylla e Asherasë mbeti e paprekur në Samari. Jehoahazit nuk i kishin mbetur veçse pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë luftëtarë këmbësorie, sepse të tjerët i kishte vrarë mbreti i Aramit e i kishte shtypur si pluhurin nën këmbë. Bëmat e tjera të Jehoahazit, të gjitha veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Jehoahazi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joashi. Në vitin e tridhjetë e shtatë të mbretërimit të Joashit në Judë, Jehoashi, biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit. Ai sundoi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Samari. Joashi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatonte. Bëmat e tjera të Joashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Joashi u preh me etërit e tij dhe në fronin e tij u ul Jeroboami. Joashin e varrosën në Samari, bashkë me mbretërit e Izraelit. Kur Eliseun e kapi sëmundja, prej së cilës edhe vdiq, shkoi për ta parë Joashi, mbreti i Izraelit. Ai qau para Eliseut e tha: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Eliseu i tha: «Merr harkun dhe shigjetat». Mbreti i mori. Eliseu i tha: «Ndehe harkun!». Mbreti vuri duart mbi hark dhe Eliseu i vuri duart mbi duart e mbretit. Pastaj Eliseu i tha: «Hap dritaren nga lindja». Mbreti e hapi. Eliseu i tha: «Gjuaj!». Mbreti gjuajti dhe Eliseu tha: «Shigjeta e ngadhënjimit të Zotit! Shigjetë ngadhënjimi kundër Aramit! Do ta mposhtësh Aramin në Afek deri në shfarosje». Mandej i tha: «Merri shigjetat». Mbreti i Izraelit i mori dhe Eliseu i tha: «Rrihe tokën me shigjetat». Mbreti e rrahu tokën tri herë e pastaj u ndal. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të e i tha: «Duhet ta kishe rrahur pesë a gjashtë herë tokën, sepse atëherë do ta mposhtje Aramin deri në shfarosje, por tani do ta mposhtësh vetëm tri herë». Eliseu vdiq dhe e varrosën. Çdo fillim viti vinin kusarë nga Moabi për të plaçkitur. Një ditë, disa po varrosnin një të vdekur, kur ia behën kusarët. Atëherë ata e hodhën kufomën në varrin e Eliseut dhe ikën. Kur i vdekuri preku eshtrat e Eliseut, u ngjall dhe u ngrit më këmbë. Hazaeli, mbreti i Aramit, e mbajti të shtypur Izraelin gjatë gjithë sundimit të Jehoahazit. Por Zoti pati mëshirë e i erdhi keq për ta, prandaj u kthye tek ata për hir të besëlidhjes që kishte bërë me Abrahamin, Isakun e Jakobin, dhe nuk deshi t'i shkatërronte e as t'i dëbonte larg pranisë së tij. Hazaeli, mbreti i Aramit, vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Ben Hadadi, i biri. Jehoashi, biri i Jehoahazit, ia mori përsëri Ben Hadadit qytetet, që ai i kishte marrë Jehoahazit, atit të vet. Jehoashi e mposhti tri herë Ben Hadadin dhe ia ktheu sërish qytetet Izraelit. Në vitin e dytë të mbretërimit të Joashit, birit të Jehoahazit, në Izrael, Amacjahu, biri i Joashit, u bë mbret i Judës. Ai ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Joadana dhe ishte nga Jerusalemi. Amacjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, por jo si Davidi, paraardhësi i tij, dhe për gjithçka veproi si i ati, Joashi. Veçse, faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime e temjan në to. Kur mbretërimi i tij u bë më i fortë, Amacjahu i vrau zyrtarët e vet, që i kishin vrarë të atin, mbretin Joash. Por bijtë e atyre që i kishin vrarë të atin nuk i vrau, sikurse është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, ku Zoti urdhëron: «Të mos dënohen me vdekje etërit për shkak të bijve e as bijtë për shkak të etërve. Secili të dënohet për shkak të mëkatit të vet». Amacjahu vrau dhjetë mijë edomitë në luginën e Kripës dhe gjatë betejës pushtoi qytetin e Selaut, të cilit ia vuri emrin Joktel, siç quhet edhe sot e kësaj dite. Mandej i dërgoi lajmëtarë Jehoashit, birit të Jehoahazit, të birit të Jehut, mbretit të Izraelit, e i tha: «Eja të ndeshemi në fushën e betejës!». Jehoashi, mbreti i Izraelit, i dërgoi fjalë Amacjahut, mbretit të Judës, e i tha: «Ferra e Libanit i çoi fjalë cedrit të Libanit e i tha: “Jepja vajzën për nuse djalit tim”. Por ja, një kafshë e egër Libani kaloi dhe e shkeli ferrën me këmbë. Ti vërtet e mposhte Edomin, por të është rritur mendja. Kënaqu me lavdinë që fitove dhe rri në shtëpinë tënde! Përse dashke të shkaktosh fatkeqësi? Përse dashke të shkatërrosh veten dhe Judën bashkë me veten?». Por Amacjahu, mbreti i Judës, nuk e dëgjoi, prandaj Jehoashi, mbreti i Izraelit, e sulmoi dhe u ndesh me të në Bet Shemesh të Judës. Judenjtë u mposhtën nga izraelitët dhe u kthyen nëpër tendat e tyre. Jehoashi, mbreti i Izraelit, e zuri rob në Bet Shemesh Amacjahun, mbretin e Judës, birin e Jehoashit, të birit të Ahazjahut. Jehoashi shkoi mandej në Jerusalem dhe rrënoi murin e qytetit nga Porta e Efraimit deri te Porta e Këndit, rreth dyqind metra. Ai plaçkiti të gjithë argjendin, arin dhe sendet e gjetura në tempullin e Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror. Mori edhe disa pengje dhe u kthye në Samari. Bëmat e tjera të Jehoashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Jehoashi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari bashkë me mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jeroboami. Amacjahu, mbreti i Judës, biri i Joashit, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Jehoashit, mbretit të Izraelit, birit të Jehoahazit. Bëmat e tjera të Amacjahut janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Kur disa njerëz ngritën krye kundër tij në Jerusalem, Amacjahu iku në Lakish, por edhe atje e ndoqën pas dhe e vranë. Prej andej ia prunë trupin me kuaj në Jerusalem, ku e varrosën bashkë me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Mbarë populli i Judës mori birin e tij, Azarjahun, që ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe e shpalli mbret në vend të Amacjahut, atit të tij. Pasi i ati u preh me paraardhësit e tij, Azarjahu e mori përsëri Ejlatin në mbretërinë e Judës dhe e rindërtoi. Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Amacjahut, birit të Joashit, në Judë, Jeroboami, biri i Joashit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Samari. Jeroboami bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. Ai rivendosi kufijtë e Izraelit nga Lebo Hamati deri në detin e Arabahut, sipas fjalës së Zotit, Perëndisë së Izraelit, thënë përmes profetit Jona, të birit të Amitait, nga Gat Heferi. Zoti e kishte parë mjerimin e tmerrshëm të Izraelit, sepse nuk kishte mbetur më askush për të ndihmuar Izraelin, skllav apo i lirë. Zoti nuk kishte vendosur ende ta shuante emrin e Izraelit nën qiell, prandaj e shpëtoi përmes Jeroboamit, të birit të Joashit. Bëmat e tjera të Jeroboamit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri për t'i kthyer Izraelit Damaskun dhe Hamatin, që më parë i takonin Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Jeroboami u preh me paraardhësit e tij, mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Zakaria. Në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Jeroboamit në Izrael, Azarjahu, biri i Amacjahut, u bë mbret i Judës. Azarjahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur u bë mbret dhe sundoi pesëdhjetë e dy vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jeholia dhe ishte nga Jerusalemi. Azarjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Amacjahu. Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime dhe temjan në to. Zoti e goditi mbretin me sëmundjen e lebrës, e cila nuk iu shërua derisa vdiq. Mbreti banoi në një shtëpi të veçuar, ndërsa mbikëqyrjen e pallatit mbretëror dhe gjykimin e popullit të vendit e mori përsipër i biri, Jotami. Bëmat e tjera të Azarjahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Azarjahu u preh me paraardhësit e tij dhe populli e varrosi bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotami. Në vitin e tridhjetetetë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Zakaria, biri i Jeroboamit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi vetëm gjashtë muaj në Samari. Zakaria bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishin bërë edhe paraardhësit e tij, dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. Shalumi, biri i Jabeshit, ngriti krye kundër Zakarisë, e goditi, e vrau para popullit dhe u bë vetë mbret në vend të tij. Bëmat e tjera të Zakarisë janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Kështu u përmbush fjala që Zoti i kishte thënë Jehut, se pasardhësit e tij do të rrinin në fronin e Izraelit deri në brezninë e katërt. Dhe ashtu ndodhi. Në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të Uziahut në Judë, Shalumi, biri i Jabeshit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi vetëm një muaj në Samari. Menahemi, biri i Gadit, marshoi nga Tircahu në Samari, ku e sulmoi Shalumin, birin e Jabeshit, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij. Bëmat e tjera të Shalumit dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Asokohe Menahemi u nis nga Tircahu dhe sulmoi Tifsahun me gjithë rrethina, sepse nuk i kishin hapur portat. Ai vrau edhe të gjitha gratë shtatzëna e u çau barkun. Në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Menahemi, biri i Gadit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi dhjetë vjet në Samari. Menahemi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe, sa qe gjallë, nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. Puli, mbreti i Asirisë, sulmoi vendin dhe Menahemi i dha tridhjetë tonë argjend, që Puli ta përkrahte dhe t'ia bënte mbretërimin më të fortë. Argjendin për mbretin e Aramit Menahemi e mblodhi nga populli i Izraelit. Të gjithë fisnikët e pasur duhej të paguanin secili nga pesëdhjetë monedha argjendi. Kështu, mbreti i Asirisë u kthye në vendin e tij dhe nuk qëndroi në Izrael. Bëmat e tjera të Menahemit dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Menahemi u preh me paraardhësit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Pekahiahu. Në vitin e pesëdhjetë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Pekahiahu, biri i Menahemit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për dy vjet në Samari. Pekahiahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. Kundër Pekahiahut u ngrit Pekahu, biri i Remaliahut, kreu i ushtrisë, dhe e goditi për vdekje në Samari, në fortesën e pallatit mbretëror. Bashkë me Pekahun ishin pesëdhjetë luftëtarë të Gileadit, si edhe Argobi dhe Ariehu. Pekahu e vrau Pekahiahun dhe mbretëroi vetë në vend të tij. Bëmat e tjera të Pekahiahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Në vitin e pesëdhjetedytë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Pekahu, biri i Remaliahut, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për njëzet vjet në Samari. Pekahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. Në kohën e Pekahut, mbretit të Izraelit, erdhi Tiglat Pileseri, mbreti i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel Bet Makahun, Janoahun, Kedeshin, Hacorin, Gileadin, Galilenë e mbarë tokat e Neftaliut. Banorët e tyre i degdisi në Asiri. Kundër Pekahut, birit të Remaliahut, u ngrit Hosea, biri i Elahut, e goditi, e vrau dhe u bë vetë mbret në vend të tij, në vitin e njëzetë të Jotamit, birit të Uziahut. Bëmat e tjera të Pekahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Në vitin e dytë të mbretërimit të Pekahut, birit të Remaliahut, në Izrael, Jotami, biri i Uziahut, u bë mbret i Judës. Jotami ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jerusha dhe ishte e bija e Cadokut. Jotami bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Uziahu. Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime e temjan në to. Jotami ndërtoi Portën e Epërme të tempullit të Zotit. Bëmat e tjera të Jotamit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Në kohën e Jotamit, Zoti filloi të dërgojë kundër Judës Recinin, mbretin e Aramit, dhe Pekahun, birin e Remaliahut. Jotami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ahazi. Në vitin e shtatëmbëdhjetë të mbretërimit të Pekahut, birit të Remaliahut, në Izrael, Ahazi, biri i Jotamit, u bë mbret i Judës. Ahazi ishte njëzet vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. Ai nuk bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, si Davidi, paraardhësi i tij, por ndoqi udhët e mbretërve të Izraelit. Për më tepër ai flijoi edhe djalin e vet në zjarr, sipas dokeve të pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Po ashtu, ai kushtoi flijime e temjan në faltoret në vende të larta, nëpër kodra dhe nën pemë të harlisura. Recini, mbreti i Aramit, bashkë me Pekahun, birin e Remaliahut, mbretin e Izraelit, erdhën dhe sulmuan Jerusalemin. Ata e rrethuan Ahazin, por nuk e mposhtën dot. Asokohe Recini, mbreti i Aramit, ripushtoi Ejlatin, e bashkoi me Aramin dhe i dëboi judenjtë prej andej. Edomitët erdhën në Eljat, vend ku edhe banojnë sot e kësaj dite. Ahazi i dërgoi lajmëtarë Tiglat Pileserit, mbretit të Asirisë, e i tha: «Jam shërbëtori yt dhe biri yt. Eja të më shpëtosh nga mbreti i Aramit dhe nga mbreti i Izraelit, që më kanë sulmuar». Ahazi mori edhe argjendin dhe arin që gjendej në tempullin e Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror, e ia dërgoi si dhuratë mbretit të Asirisë. Mbreti i Asirisë pranoi dhe shkoi për të sulmuar Damaskun. E pushtoi, banorët i degdisi në Kir, kurse Recinin e vrau. Mbreti Ahaz shkoi në Damask për të takuar Tiglat Pileserin, mbretin e Asirisë. Kur pa altarin e Damaskut, ai i dërgoi priftit Urjah trajtën e altarit, si edhe përshkrimin e hollësishëm të punimit të tij. Prifti Urjah ndërtoi një altar sipas të gjithë përshkrimit që i kishte dërguar mbreti Ahaz nga Damasku dhe e përfundoi para se të kthehej mbreti Ahaz nga Damasku. Kur u kthye nga Damasku, mbreti pa altarin, u afrua pranë tij dhe kushtoi fli mbi të. Ai kushtoi mbi altar temjan, fli shkrumbimi, fli drithi, derdhi mbi të fli stërpikjeje dhe e spërkati me gjakun e flive të paqtimit që kishte kushtuar vetë. Altarin prej bronzi, që ndodhej në prani të Zotit, midis altarit dhe tempullit të Zotit, ai e lëvizi nga pjesa e përparme e tempullit dhe e vuri në kënd të altarit të ri, nga ana veriore. Mandej mbreti Ahaz i dha këtë urdhër priftit Urjah: «Mbi altarin e madh do të kushtosh flinë e shkrumbimit të mëngjesit, flinë e drithit të mbrëmjes, flinë e shkrumbimit të mbretit, flinë e tij të drithit, flinë e shkrumbimit të mbarë popullit, flitë e tyre të drithit e të stërpikjes, bashkë me gjakun e flive të shkrumbimit, dhe do ta spërkatësh me gjakun e flive. Altarin prej bronzi do ta përdor unë për t'u këshilluar». Prifti Urjah bëri siç e urdhëroi mbreti Ahaz. Mbreti Ahaz hoqi fletët që mbulonin bazat e legenëve dhe vetë legenët. Ai hoqi edhe detin prej metali prej demave të bronztë dhe e vuri mbi dysheme gurësh. Për shkak të mbretit të Asirisë ai hoqi edhe Portikun e së Shtunës, që ishte ndërtuar në tempull, si edhe hyrjen e jashtme të mbretit për në tempullin e Zotit. Bëmat e tjera të Ahazit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Ahazi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia. Në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Ahazit në Judë, Hosea, biri i Elahut, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për nëntë vjet në Samari. Hosea bëri çka është keq në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e tjerë të Izraelit që kishin mbretëruar para tij. Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, e sulmoi Hosenë, i cili iu nënshtrua e i paguante tagra. Por mbreti i Asirisë zbuloi se Hosea e kishte tradhtuar, sepse kishte dërguar lajmëtarë te mbreti i Egjiptit në So dhe nuk ia kishte paguar tagrin e përvitshëm mbretit të Asirisë. Atëherë mbreti i Asirisë e kapi Hosenë dhe e futi në burg. Ai pushtoi mbarë vendin, sulmoi Samarinë dhe e mbajti të rrethuar për tre vjet. Në vitin e nëntë të mbretërimit të Hosesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, banorët e Izraelit i çoi në mërgim në Asiri dhe i vuri të banojnë në Halah, në krahinën e Gozanit pranë lumit Habor dhe në qytetet e Medës. Kjo ndodhi ngaqë izraelitët kishin mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së tyre, që i kishte nxjerrë nga toka e Egjiptit dhe nga zgjedha e faraonit, mbretit të Egjiptit, por ata kishin nderuar perëndi të tjerë. Izraelitët kishin ndjekur doket e kombeve, që Zoti kishte dëbuar para syve të tyre, dhe doket që kishin futur mbretërit e Izraelit. Me veprat e tyre të padrejta, izraelitët bënë gjëra të pështira kundër Zotit, Perëndisë së tyre, dhe ndërtuan faltore nëpër vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, që nga kullat e vrojtimit e deri te qytetet e fortifikuara. Ata ngritën përmendore të shenjta dhe shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të harlisur. Ata kushtuan temjan nëpër faltoret në vende të larta, ashtu si kombet që Zoti kishte dëbuar para tyre, dhe bënë ligësi që ndezën zemërimin e Zotit. Ata u shërbyen idhujve, për të cilët Zoti u kishte urdhëruar të mos e bënin. Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën përmes profetëve dhe vegimtarëve e u kishte thënë: «Kthehuni nga udha juaj e ligë e mbajini urdhërimet, rregullat dhe mbarë ligjet që u kam urdhëruar paraardhësve tuaj e që ju kam urdhëruar edhe juve përmes profetëve, shërbëtorëve të mi». Por izraelitët nuk dëgjuan e u bënë kokëfortë, ashtu si paraardhësit e tyre, që nuk besuan te Zoti, Perëndia i tyre. Ata i përbuzën rregullat dhe besëlidhjen që Zoti kishte bërë me paraardhësit e tyre, si dhe paralajmërimet që u kishte dhënë përmes dëshmive. U dhanë pas idhujve të kotë e u bënë vetë kotësi, si dhe pas kombeve që i rrethonin, për të cilët Zoti i kishte urdhëruar të mos silleshin si ata. Izraelitët i braktisën të gjitha urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe bënë dy idhuj demash prej metali dhe një shtyllë të Asherasë. Adhuruan mbarë ushtrinë qiellore dhe i shërbyen Baalit. Kushtuan bijtë e bijat e tyre në zjarr, u morën me shortari e me magji dhe ia shitën shpirtin të keqes kundër Zotit, duke ndezur kështu zemërimin e tij. Zoti u zemërua shumë me Izraelin, prandaj e dëboi larg pranisë së tij. Mbeti vetëm fisi i Judës. As judenjtë nuk i mbajtën urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, por ecën sipas dokeve të Izraelit. Kështu, Zoti e hodhi poshtë mbarë farën e Izraelit, i poshtëroi dhe i dha në duart e kusarëve, derisa i dëboi nga prania e tij. Izraeli u shkëput nga shtëpia e Davidit dhe bëri mbret Jeroboamin, birin e Nebatit, i cili e largoi Izraelin nga Zoti dhe e shtyu të mëkatojë rëndë. Që nga ajo kohë izraelitët u dhanë pas të gjitha mëkateve të Jeroboamit e nuk u shmangën prej tyre, derisa Zoti i dëboi nga prania e tij, ashtu siç kishte thënë përmes profetëve, shërbëtorëve të tij. Kështu, izraelitët u dëbuan nga toka e tyre dhe janë në mërgim në Asiri edhe sot e kësaj dite. Mbreti i Asirisë solli popullsi nga Babilonia, nga Kuta, nga Avahu, nga Hamati e nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë, në vend të izraelitëve. Këta popuj e bënë Samarinë pronë të tyre dhe banuan në qytetet e saj. Në fillim ata nuk e druanin Zotin dhe Zoti u dërgoi luanë, që t'i shqyenin. I dërguan lajm mbretit të Asirisë e i thanë: «Kombet që dërgove në mërgim për të banuar në qytetet e Samarisë, nuk i njohin ligjet e Perëndisë së asaj toke, prandaj ai u ka dërguar luanë, që po i shqyejnë për shkak se ata nuk i dinë ato ligje». Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi të çonin në Samari njërin nga priftërinjtë që kishin shpërngulur, që ai të shkonte, të banonte atje e t'u mësonte ligjet e Perëndisë së asaj toke. Kështu, njëri nga priftërinjtë që kishin shpërngulur nga Samaria, u kthye e u vendos në Betel. Ai u mësoi si të druanin Zotin. Megjithatë, çdo popull bëri perëndinë e vet. Idhujt i vendosën nëpër tempujt apo nëpër faltoret në vende të larta, që kishin ndërtuar samaritanët. Kështu bëri çdo popull në qytetin ku banonte. Babilonasit punuan idhullin e Sukot Benotit, kutitët bënë idhullin e Nergalit, hamatitët bënë Ashimanë, avitët bënë Nibhazin, tartakitët dhe sefarvitët u kushtonin fëmijët në zjarr Adramelekut dhe Anamelekut, perëndive të Sefarvaimit. Ata druanin edhe Zotin, prandaj caktuan njerëz të tyre si priftërinj për faltoret në vende të larta, që të kushtonin fli për ta nëpër tempujt që ndodheshin atje. Ndërkohë që druanin Zotin, ata u shërbenin edhe perëndive të tyre, sipas zakoneve të vendeve nga kishin ardhur në mërgim. Ata ndjekin doket e mëparshme edhe sot e kësaj dite dhe nuk e druajnë Zotin. Ata nuk veprojnë sipas rregullave, vendimeve, ligjit e urdhërimeve që Zoti u urdhëroi pasardhësve të Jakobit, të cilin e quajti Izrael. Zoti kishte bërë një besëlidhje me ta dhe u kishte dhënë këtë urdhër: «Mos druani perëndi të tjerë, mos u përkulni para tyre, mos u shërbeni e mos u kushtoni flijime. Druani Zotin, që ju nxori nga toka e Egjiptit me forcën dhe me fuqinë e krahut të tij. Atë druani, para tij përkuluni dhe atij kushtojini flijime. Mbajini çdo ditë rregullat, vendimet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju. Mos druani perëndi të tjerë! Mos harroni besëlidhjen që bëra me ju dhe mos druani perëndi të tjerë! Druani Zotin, Perëndinë tuaj, e ai do t'ju shpëtojë nga zgjedha e armiqve». Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan të veprojnë sipas zakoneve të mëparshme. Kështu, këta popuj e druanin Zotin, por u shërbenin edhe idhujve të tyre. Edhe sot e kësaj dite, bijtë dhe bijtë e bijve të tyre veprojnë siç vepruan etërit e tyre. Në vitin e tretë të mbretërimit të Hosesë, birit të Elahut, në Izrael, Ezekia, biri i Ahazit, u bë mbret i Judës. Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Abija dhe ishte e bija e Zakarisë. Ezekia bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi, paraardhësi i tij. Ai i shkatërroi faltoret në vende të larta, përmendoret e shenjta i rrënoi dhe shtyllat e Asherasë i thërrmoi. Ai copëtoi edhe gjarprin prej bronzi, që kishte bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë izraelitët i kushtonin temjan gjarprit që quhej Nehushtan. Ezekia besonte te Zoti, Perëndia i Izraelit. Pas tij dhe para tij nuk pati më asnjë mbret të ngjashëm me të në Judë. Ai u dha pas Zotit e nuk u largua prej tij, por i mbajti urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut. Kështu, Zoti ishte me të dhe gjithçka që bënte i shkonte mbarë. Ezekia ngriti krye kundër mbretit të Asirisë e nuk iu nënshtrua. Ai i sulmoi filistinët deri në Gazë e deri në kufijtë e saj, që nga kulla e vrojtimit e deri te qyteti i fortifikuar. Në vitin e katërt të mbretërimit të Ezekisë, që ishte viti i shtatë i mbretërimit të Hosesë, birit të Elahut, në Izrael, Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, sulmoi Samarinë dhe e rrethoi. Pas tre vjetësh Samaria u pushtua. Kjo ndodhi në vitin e gjashtë të mbretërimit të Ezekisë, që ishte viti i nëntë i mbretërimit të Hosesë në Izrael. Mbreti i Asirisë e shpërnguli Izraelin në Asiri dhe i vendosi izraelitët në Halah, në krahinën e Gozanit pranë lumit Habor dhe në qytetet e Medës, sepse izraelitët nuk e kishin dëgjuar Zotin, Perëndinë e tyre, dhe e kishin shkelur besëlidhjen e tij. Ata nuk i kishin vënë vesh dhe nuk i kishin zbatuar as urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut, shërbëtorit të tij. Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të Ezekisë, Sankeribi, mbreti i Asirisë, sulmoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. Atëherë Ezekia, mbreti i Judës, i dërgoi lajmëtarë mbretit të Asirisë në Lakish, e i tha: «Kam gabuar. Largohu nga trojet e mia dhe do të pranoj çdo detyrim që do të më caktosh». Mbreti i Asirisë i vuri si detyrim Ezekisë, mbretit të Judës, nëntë mijë kilogramë argjend dhe nëntëqind kilogramë ar. Ezekia i dha të gjithë argjendin që ndodhej në tempullin e Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror. Po në atë kohë, Ezekia, mbreti i Judës, hoqi arin, me të cilin kishte mbuluar dyert e tempullit të Zotit, si edhe shtalkat, e ia dha mbretit të Asirisë. Mbreti i Asirisë dërgoi nga Lakishi te mbreti Ezeki në Jerusalem kreun e ushtrisë, kreun e zyrtarëve dhe kreun e fushimit me një ushtri të madhe. Me të mbërritur në Jerusalem, ata u ndalën tek ujësjellësi i pellgut të sipërm, që gjendet në udhën që të çon në fushën e Rrobalarësit. Ata thirrën mbretin dhe në takim me ta doli Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresarit. Kreu i ushtrisë së Asirisë u tha: «Thuajini Ezekisë: kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku e gjen gjithë këtë besim? Mendon se fjalët e gojës janë këshillimi dhe forca që duhen për luftë? Ku e ke varur shpresën, që guxon të ngresh krye kundër meje? Mos shpreson gjë tek Egjipti, ai kallam i thyer, mbi të cilin nëse mbështetet njeri i çahet e i shpohet dora? I tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për ata që shpresojnë tek ai. Apo mos do të më thuash te Zoti, Perëndia juaj? Por, a nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën dhe Jerusalemin të adhurojnë vetëm para këtij altari në Jerusalem? E tani, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë: ai të jep dy mijë kuaj, po arrite të gjesh kalorës për ta. E si do ta mundësh qoftë edhe qeveritarin më të vogël të zotërisë tim? Apo shpreson tek Egjipti për kuaj e kalorës? A mos kujton se kam ardhur pa dëshirën e Zotit për ta shkatërruar këtë vend? Ishte Zoti ai që më tha ta sulmoja këtë tokë e ta shkatërroja». Atëherë Eliakimi, biri i Hilkiahut, Shebnau dhe Joahu i thanë kreut të ushtrisë: «Të lutemi, fol aramaisht me ne, shërbëtorët e tu, sepse e kuptojmë, e mos fol në judaisht, sepse të dëgjon populli që rri mbi mure». Por kreu i ushtrisë u tha: «Mendoni se zotëria im më dërgoi t'ia them këto fjalë vetëm juve dhe zotërisë suaj? Le t'i dëgjojnë edhe këta burra që rrinë mbi mure, sepse së shpejti kanë për të ngrënë bashkë me ju jashtëqitjet e veta dhe kanë për të pirë shurrën e vet». Atëherë u ngrit kreu i fushimit të Asirisë, foli me zë të lartë në judaisht e tha: «Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë! Kështu thotë mbreti: “Mos u gënjeni nga Ezekia, se nuk do t'ju shpëtojë dot nga dora ime. Mos e lejoni t'ju bëjë të shpresoni te Zoti, kur t'ju thotë: ‘Do të na shpëtojë patjetër Zoti. Ky qytet nuk ka për të rënë në duart e mbretit të Asirisë’”. Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: “Bëni paqe me mua e dorëzohuni tek unë dhe secili do të hajë prej vreshtit të vet dhe prej fiqve të vet dhe do të pijë ujë prej pusit të vet, derisa të vij e t'ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, në një vend plot drithë e verë, në një tokë buke e vreshtash, në një tokë ullinjsh, vaji e mjalti. Kështu, do të jetoni e nuk do të vdisni. Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse ju mashtron kur ju thotë se do t'ju shpëtojë Zoti. Cilin prej kombeve shpëtuan perënditë e tyre nga dora e mbretit të Asirisë? Ku janë perënditë e Hamatit dhe Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit, të Henës dhe të Avahut? A mos e shpëtuan Samarinë prej dorës sime? Kush nga tërë perënditë e këtyre vendeve e shpëtoi vendin e vet nga dora ime, që Zoti ta shpëtuaka Jerusalemin nga duart e mia?”». Populli heshti dhe nuk i ktheu asnjë përgjigje, sepse mbreti kishte urdhëruar të mos i përgjigjeshin. Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, u kthyen tek Ezekia, shqyen rrobat e i treguan fjalët e kreut të ushtrisë së Asirisë. Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe shkoi në tempullin e Zotit. Mandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore. Ata i thanë Isaisë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, sepse jemi bërë si foshnjat që janë gati për të dalë nga barku i një nëne, e cila nuk ka fuqi t'i lindë. Ndoshta Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për pjesën e mbetur të popullit”». Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia, ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë Zoti: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë. Ja, unë do t'i dërgoj një shpirt e ai do të kthehet në vendin e tij sapo të marrë vesh një lajm. Atje do ta bëj të vdesë nga shpata”». Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun. Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha: «Kështu do t'i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë. Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve dhe sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh? A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar. Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës dhe Avahut?». Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe pasi e lexoi, shkoi në tempullin e Zotit dhe e hapi rrotullën para Zotit. Mandej iu lut Zotit e tha: «O Zot, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin dhe tokën. Ule veshin, o Zot, e dëgjo! Hapi sytë, o Zot, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë. Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar kombet dhe vendet e tyre. Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan. E tani, o Zot, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut, se ti, o Zot, je i vetmi Perëndi». Atëherë Isaia, biri i Amosit, i dërgoi lajm Ezekisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: e dëgjova lutjen që më bëre për Sankeribin, mbretin e Asirisë. Ja fjalët që unë, Zoti, shqiptova kundër tij: Të përbuz, të përqesh virgjëresha, bija e Sionit! Prapa teje kokën tund bija e Jerusalemit. Me kë je tallur, kë ke fyer? Kundër kujt zërin e ke ngritur dhe e ke parë tërë mburrje? Kundër të shenjtit të Izraelit! Përmes lajmëtarëve të tu ti ke fyer Zotin e me vete ke thënë: “Me karrocat e mia të shumta majë maleve u ngjita, lartësive më të thella të Libanit. Më të lartët cedra ia preva dhe pyjet më të bukur. Mbërrita në skutat e tij më të larta, në pyjet e tij më të dendura. Gërmova puse e ujë të huaj piva, me shputat e këmbëve të mia mbarë lumenjtë e Egjiptit thava”. Por, a nuk ke dëgjuar vallë? Prej kohësh të lashta këtë e caktova, nga ditët e hershme e përftova, e tash po e zbatoj. Ty të caktova të sjellësh rrënim e qytetet e fortifikuara në pirgje gërmadhash t'i kthesh. Banorët e tyre u tmerruan, duart iu mpinë e u drodhën. U bënë si bari i fushës e si bari i lëndinave, si bari i pullazeve që thahet pa mbirë mirë. Unë e di mirë kur rri, kur hyn e kur del. Di edhe tërbimin që kundër meje ke. Je ndezur kundër meje e krenaria jote në vesh më erdhi, prandaj në hundë unazën do të ta vë e në gojë frerin e hekurt, që pas të të kthej udhës nga ke ardhur. Ndërsa për ty, Ezeki, kjo do të jetë shenja: këtë vit do të hani çka është rritur vetë, vitin tjetër çka do të ketë mbirë vetë, ndërsa vitin e tretë do të mbillni e do të korrni, do të mbillni vreshta e do të hani frutat e tyre. Ata që do të mbesin nga shtëpia e Judës, do t'i lëshojnë rrënjët thellë në tokë dhe degët do t'u mbushen plot fryte. Prej Jerusalemit do të dalë populli i mbetur, prej malit të Sionit do të ngrihen ata që kanë shpëtuar. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit. Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: ai nuk do të hyjë në këtë qytet e nuk do ta sulmojë me shigjeta. Nuk do t'i mësyjë nën mbrojtjen e shqyteve e as ledh nuk do të gërmojë rreth tij. Do të kthehet rrugës nga erdhi e në këtë qytet nuk do të hyjë, kumton Zoti! Këtë qytet do ta mbroj vetë, për vete dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim». Atë natë engjëlli i Zotit sulmoi fushimin e asirianëve dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë luftëtarë. Kur u ngritën herët në mëngjes, panë gjithë ato kufoma të vdekurish. Atëherë Sankeribi, mbreti i Asirisë, ngriti fushimin, u kthye pas e u vendos në Ninivë. E teksa po adhuronte në tempullin e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku dhe Sareceri, bijtë e tij, e vranë Sankeribin me shpatë dhe ia mbathën për në Ararat. Në vend të tij mbretëroi Esarhadoni, i biri. Asokohe Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isai, biri i Amosit, shkoi tek ai e i tha: «Kështu thotë Zoti: ndreqi punët e shtëpisë sate, se nuk do të jetosh gjatë. Do të vdesësh». Ezekia u kthye me fytyrë nga muri e iu lut Zotit: «Të lutem, o Zot, kujtohu se kam ecur në praninë tënde me besnikëri e me zemër të çiltër dhe kam bërë çka është mirë në sytë e ty». Dhe qau me ngashërim. Isaia nuk ishte larguar ende nga tremja qendrore e pallatit, kur iu drejtua fjala e Zotit: «Kthehu pas e thuaji Ezekisë, prijësit të popullit tim: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: e dëgjova lutjen tënde e i pashë lotët e tu. Ja, po të shëroj dhe pas tri ditësh ke për të shkuar në tempullin e Zotit. Do të të jap edhe pesëmbëdhjetë vite jetë dhe do të të shpëtoj nga dora e mbretit të Asirisë. Këtë qytet do ta mbroj për hir të emrit tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim”». Isaia tha: «Sillni një kulaç me fiq». Kulaçin ia vunë mbi plagë dhe Ezekia u shërua. Atëherë Ezekia i tha Isaisë: «Cila është shenja se Zoti do të më shërojë e se të tretën ditë do të shkoj në tempullin e Zotit?» Isaia i tha: «Shenja se Zoti do ta bëjë këtë gjë është kjo: a dëshiron që hija të zgjatet dhjetë shkallëza para apo dhjetë shkallëza pas?». Ezekia i tha: «Është e lehtë që hija të zgjatet dhjetë shkallëza para. Le të zgjatet dhjetë shkallëza pas». Profeti Isai iu lut Zotit dhe Zoti e ktheu hijen dhjetë shkallëza pas përgjatë shkallëve, nëpër të cilat kishte zbritur më parë Ahazi. Asokohe, mbreti i Babilonisë Berodak Baladani, biri i Baladanit, i dërgoi Ezekisë një dhuratë dhe një letër, sepse kishte marrë vesh se kishte qenë sëmurë. Ezekia i priti të dërguarit dhe u tregoi vendin ku ruhej tërë thesari i tij, argjendi, floriri, erërat e mira dhe vajrat erëmirë. U tregoi edhe vendin ku ruheshin armët dhe tërë vendet ku ruheshin thesaret e tij. Ezekia nuk la asgjë pa u treguar në pallat dhe në gjithë mbretërinë e tij. Atëherë profeti Isai shkoi te mbreti Ezeki e i tha: «Nga vinin ata burra e çfarë të thanë?». Ezekia i tha: «Vijnë nga një vend i largët, nga Babilonia». Isaia e pyeti: «E çfarë panë në pallatin tënd?». Ezekia iu përgjigj: «Panë gjithçka ndodhet në pallatin tim e nuk lashë pa u treguar asgjë nga thesaret e mia». Atëherë Isaia i the Ezekisë: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit: “Ja, po vijnë ditët, kur gjithçka që gjendet në pallatin tënd dhe gjithçka që kanë mbledhur paraardhësit e tu deri më sot, do të çohet në Babiloni e këtu nuk do të mbetet asgjë”, thotë Zoti. Babilonasit do të marrin edhe disa prej djemve të tu, që do të lindin prej teje, dhe do t'i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë». Ezekia i tha Isaisë: «E mirë është fjala që të ka thënë Zoti ». E me vete mendonte: «Të paktën, sa të jem gjallë unë, do të ketë paqe e siguri». Bëmat e tjera të Ezekisë, të gjitha trimëritë e tij, veprat që ndërtoi, pellgu dhe ujësjellësi që i solli ujë qytetit, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Ezekia u preh me paraardhësit dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Manaseu. Manaseu ishte dymbëdhjetë vjeç kur u bë mbret i Judës. Ai mbretëroi pesëdhjetë e pesë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Hefciba. Manaseu bëri çka është keq në sytë e Zotit, duke ndjekur doket e pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Ai rindërtoi faltoret në vende të larta, që ati i tij, Ezekia, i kishte shkatërruar, ngriti altarë për Baalin, punoi një shtyllë të Asherasë, ashtu siç kishte bërë Ahabi, mbreti i Izraelit, dhe adhuroi tërë yjet e qiellit e u shërbeu si perëndi. Ndërtoi altarë idhujsh edhe brenda tempullit të Zotit, për të cilin vetë Zoti kishte thënë: «Në Jerusalem do të vë emrin tim». I ndërtoi altarë mbarë ushtrisë qiellore në të dyja tremet e tempullit të Zotit. Manaseu kushtoi edhe të birin si fli në zjarr, u mor me shortari e me magji, u këshillua me ata që thërrasin shpirtra të vdekurish e me shortarë dhe bëri aq shumë ligësi para syve të Zotit, saqë ndezi zemërimin e tij. Ai punoi edhe një shtyllë të Asherasë dhe e vuri në tempullin e Zotit, për të cilin Zoti i kishte thënë Davidit dhe Solomonit, birit të Davidit: «Në këtë tempull dhe në Jerusalem, të cilin e zgjodha ndër të gjitha fiset e Izraelit, unë do të vendos emrin tim në amshim. Unë nuk do të lejoj më që këmbët e izraelitëve të enden larg kësaj toke, të cilën ua dhashë paraardhësve të tyre, veçse ata të zbatojnë të gjitha urdhërimet e mbarë ligjin që unë i dhashë shërbëtorit tim, Moisiut». Por ata nuk dëgjuan dhe Manaseu i joshi të bëjnë më shumë ligësi se kombet që Zoti shkatërroi para syve të izraelitëve. Atëherë Zoti foli përmes profetëve, shërbëtorëve të tij, e tha: «Manaseu, mbreti i Judës ka bërë gjëra të pështira e madje ka bërë më shumë ligësi se të gjitha ligësitë e amoritëve që ishin para tij. Me idhujt që bëri ka shtyrë edhe Judën në mëkat. Prandaj, kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Ja, unë do të sjell aq shumë fatkeqësi mbi Jerusalemin e mbi Judën, saqë kush ta dëgjojë, do t'i buçasin veshët. Do të shtrij mbi Jerusalem litarin, me të cilin mata shkatërrimin e Samarisë, dhe sheshuesin, me të cilin sheshova shtëpinë e Ahabit. Jerusalemin do ta fshij ashtu siç fshihet kupa, që pasi e fshin, e kthen përmbys. Të mbeturit nga trashëgimia ime do t'i braktis e do t'i jap në duart e armiqve, që të bëhen pre e plaçkë për armiqtë, sepse ata bënë çka është keq në sytë e mi dhe ndezën zemërimin tim, që nga dita kur nxora paraardhësit e tyre nga Egjipti e deri sot e kësaj dite”». Manaseu derdhi gjakun e aq shumë të pafajshmëve, saqë e mbushi Jerusalemin buzë më buzë, pa marrë parasysh mëkatet e tjera, me të cilat shtyu edhe Judën të bëjë çka është keq në sytë e Zotit. Bëmat e tjera të Manaseut, veprat dhe mëkatet e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Manaseu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë së tij, në kopshtin e Uzait. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni. Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për dy vjet në Jerusalem. E ëma quhej Meshulemete dhe ishte bija e Harucit nga Jotbahu. Amoni bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Manaseu. Ai ndoqi në çdo hap udhën e të atit, u shërbeu idhujve, të cilëve u kishte shërbyer edhe i ati, dhe i adhuroi. Ai e braktisi Zotin, Perëndinë e etërve të tij, dhe nuk ndoqi udhën e Zotit. Shërbëtorët e Amonit u ngritën kundër tij dhe e vranë brenda në pallatin mbretëror. Por populli i atij vendi i vrau të gjithë ata që ishin ngritur kundër mbretit Amon dhe në vend të tij bënë mbret Josinë, të birin. Bëmat e tjera të Amonit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Amonin e varrosën në varrin e tij, në kopshtin e Uzait. Në vend të tij mbretëroi i biri, Josia. Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tridhjetë e një vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jedida dhe ishte bija e Adajahut nga Bockati. Josia bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi në çdo hap udhën e Davidit, paraardhësit të tij, pa iu shmangur as djathtas, as majtas. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbreti Josi dërgoi Shafanin, birin e Acaljahut, të birin e Meshulamit, shkruesit, në tempullin e Zotit e i tha: «Shko te kryeprifti Hilkiah dhe thuaji të bëjë gati paratë e hedhura në tempullin e Zotit, që portarët kanë mbledhur nga populli. Paratë t'ua japin përgjegjësve të punëtorëve që janë caktuar për tempullin e Zotit e ata t'ua japin punëtorëve që po kryejnë meremetimet e dëmtimeve të tempullit të Zotit, marangozëve, ndërtuesve dhe muratorëve, që të blejnë dru dhe gurë të latuar për meremetimet e tempullit. Por askush të mos u kërkojë llogari për paratë e dhëna, sepse ata punojnë me ndershmëri». Kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e Zotit librin e ligjit». Hilkiahu ia dha librin Shafanit dhe ai e lexoi. Shafani, shkruesi, u kthye te mbreti dhe e njoftoi për punët: «Shërbëtorët e tu i mblodhën paratë që u gjetën në tempull dhe ua dhanë përgjegjësve të punimeve në tempullin e Zotit ». E mandej i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha një libër». Shafani filloi ta lexojë librin para mbretit. Kur dëgjoi fjalët e shkruara në librin e ligjit, mbreti shqeu rrobat. Atëherë ai u dha këtë urdhër priftit Hilkiah, Ahikamit, të birit të Shafanit, Akborit, të birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: «Shkoni e këshillohuni me Zotin për mua, për popullin dhe për mbarë Judën në lidhje me fjalët e këtij libri që gjetëm. Zemërimi i Zotit kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e këtij libri dhe nuk e kanë zbatuar gjithçka është shkruar për ne». Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tikvahut, të birit të Harhasit, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. Ajo u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini se kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë fjalët e librit, që lexoi mbreti i Judës, sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me gjithë veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me Zotin, do t'i thoni: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Zotit sapo dëgjove ato që thashë kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, se do të bëhet vend i shkretë e i mallkuar, meqenëse shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë Zoti. “Prandaj, do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë. Atëherë mbreti dërgoi lajm të mblidhej tek ai e gjithë pleqësia e Judës dhe e Jerusalemit. Mbreti shkoi në tempullin e Zotit dhe bashkë me të, të gjithë banorët e Judës dhe të Jerusalemit, priftërinjtë, profetët e mbarë populli, i madh e i vogël. Ai lexoi para tyre të gjitha fjalët e librit të Besëlidhjes që ishte gjetur në tempullin e Zotit. Pastaj mbreti qëndroi pranë shtyllës së tempullit dhe bëri një besëlidhje para Zotit, për të ecur udhës së Zotit dhe për të mbajtur urdhërimet, dëshmitë dhe rregullat e tij me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duke i përmbushur të gjitha fjalët e asaj besëlidhjeje, ashtu siç ishin shkruar në atë libër. Mbarë populli e pranoi besëlidhjen. Atëherë mbreti Josi i dha urdhër kryepriftit Hilkiah, priftërinjve të rangut të dytë dhe portarëve të nxirrnin jashtë tempullit të Zotit të gjitha sendet, që ishin punuar për nder të Baalit, të Asherasë apo të ushtrisë qiellore. Mbreti i dogji sendet jashtë Jerusalemit, në luginën e Kidronit dhe hirin e tyre e çoi në Betel. Ai hoqi edhe priftërinjtë e idhujve, që mbretërit e Judës kishin caktuar për të kushtuar temjan në faltoret në vende të larta nëpër qytetet e Judës dhe në rrethinat e Jerusalemit, si edhe ata që i kushtonin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të yjeve e mbarë ushtrisë qiellore. Shtyllën e Asherasë e nxori nga tempulli i Zotit jashtë Jerusalemit në luginën e Kidronit, ku e dogji, e bëri hi dhe hirin e shpërndau mbi varret e popullit. Ai shkatërroi edhe ndërtesat e lavirëve të kultit, që ndodheshin në tempullin e Zotit, ku gratë endnin pëlhura për shtyllat e Asherasë. Mandej solli priftërinjtë nga të gjitha qytetet e Judës dhe përdhosi faltoret në vende të larta, ku kishin kushtuar temjan, që nga Geba e deri në Bershebë. Ai rrënoi edhe faltoret te Porta e Jozuehut, qeveritarit të qytetit, që ndodhej në të majtë të portës kryesore të qytetit. Megjithatë, priftërinjve të faltoreve në vende të larta nuk u lejohej të ngjiteshin para altarit të Zotit në Jerusalem për të kushtuar fli, por ata mund të hanin bukët e ndorme si priftërinjtë e tjerë. Josia përdhosi edhe Tofetin, që ndodhej në luginën e Ben Hinomit, me qëllim që askush të mos i kushtonte më si fli në zjarr djalin apo vajzën e vet Molekut. Mandej ai hoqi kuajt, që mbretërit e Judës ia kishin kushtuar diellit e që rrinin në hyrje të tempullit të Zotit, në shtesën pranë dhomës ku banonte eunuku Natan Melek, ndërsa karrocat e diellit i dogji në zjarr. Mbreti Josi shembi edhe altarët që kishte ndërtuar Ahazi, mbreti i Judës, mbi tarracën e dhomës së sipërme, si edhe altarët, që kishte ndërtuar Manaseu në dy tremet e tempullit të Zotit. I bëri copë e çikë dhe pluhurin e tyre e hodhi në luginën e Kidronit. Përdhosi edhe faltoret në vende të larta përballë Jerusalemit, në anën e djathtë të malit të Shkretimit, të cilat i kishte ndërtuar Solomoni, mbreti i Izraelit, për nder të Ashtarotës, idhullit të ndyrë të sidonasve, për nder të Kemoshit, idhullit të ndyrë të Moabit, dhe Milkomit, idhullit të ndyrë të amonitëve. Copëtoi përmendoret e shenjta dhe preu shtyllat e Asherasë. Gropat e tyre i mbushi me eshtra njerëzish. Josia shkatërroi edhe altarin që ishte në faltoren e Betelit, të cilin e kishte ndërtuar Jeroboami, biri i Nebatit, që kishte shtyrë Izraelin në mëkat. E rrënoi altarin bashkë me faltoren në vend të lartë, e dogji dhe e bëri pluhur. Dogji edhe shtyllën e Asherasë. Josia ktheu kokën e pa varret që ndodheshin në kodër. Atëherë ai dërgoi të merrnin eshtra nga varret dhe i dogji mbi altar, duke e përdhosur, sipas fjalës së Zotit, që kishte thënë kohë më parë njeriu i Perëndisë. Pastaj Josia tha: «Çfarë është kjo përmendore që shoh?». Banorët e qytetit i thanë: «Është varri i njeriut të Perëndisë, që erdhi nga Juda dhe tha fjalët, të cilat ti sot i përmbushe, kundër altarit të Betelit». Josia tha: «Lëreni të qetë e askush të mos i prekë eshtrat e tij». Kështu, ata nuk i prekën eshtrat e profetit që kishte ardhur nga Samaria. Josia zhduku të gjitha faltoret nëpër vende të larta të Samarisë, të cilat i kishin ndërtuar mbretërit e Izraelit, duke ndezur zemërimin e Zotit. Ai bëri me to siç kishte bërë në Betel. Priftërinjtë e faltoreve në vende të larta, Josia i flijoi mbi altarët e këtyre faltoreve, duke djegur mbi to edhe eshtra njerëzish. Mandej ai u kthye në Jerusalem. Mbreti Josi i dha këtë urdhër mbarë popullit: «Kremtoni Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në librin e kësaj besëlidhjeje». Pashkën nuk e kishin kremtuar ashtu që nga koha e gjyqtarëve që kishin udhëhequr Izraelin, madje as edhe gjatë sundimit të mbretërve të Izraelit e të Judës. Një Pashkë e tillë për nder të Zotit u kremtua në Jerusalem vetëm në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josisë. Ai zhduku ata që thërrasin shpirtra të vdekurish, shortarët, idhujt familjarë, shëmbëlltyrat e idhujve dhe të gjitha gjërat e neveritshme që ishin parë në Jerusalem e në mbarë tokën e Judës. Kështu, zbatoi fjalët e ligjit që ishin shkruar në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në tempullin e Zotit. Para Josisë nuk kishte pasur kurrë mbret si ai, që të ishte kthyer te Zoti me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin e me gjithë forcën e vet, sipas tërë ligjit të Moisiut, e nuk pati as pas tij. E megjithatë, Zoti nuk e fashiti zemërimin e tij të madh që ishte ndezur kundër Judës për shkak të të gjitha ngallmimeve që kishte bërë Manaseu kundër tij. Kështu, Zoti tha: «Do ta dëboj edhe Judën nga prania ime, ashtu siç dëbova edhe Izraelin. Jerusalemin, qytetin që zgjodha vetë, do ta flak tutje, bashkë me tempullin, për të cilin pata thënë se në të do të banonte emri im». Bëmat e tjera të Josisë dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në Librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Gjatë sundimit të tij, faraoni Nekoh, mbreti i Egjiptit, doli kundër mbretit të Asirisë në lumin Eufrat. Mbreti Josi marshoi kundër tij, por faraoni e vrau në Megido, që në sulmin e parë. Shërbëtorët e mbartën trupin e Josisë në një karrocë dhe e sollën në Jerusalem, ku e varrosën në varrin e tij. Populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josisë, e vajosën mbret dhe e vunë të mbretërojë në vend të të atit. Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi vetëm tre muaj në Jerusalem. E ëma e tij quhej Hamitala dhe ishte bija e Jeremisë nga Libnahu. Jehoahazi bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishin bërë paraardhësit e tij. Faraoni Nekoh e burgosi Jehoahazin në Riblah, në vendin e Hamatit, që të mos mbretëronte në Jerusalem. Ai i caktoi vendit një tagër prej tre mijë kilogramësh argjendi dhe tridhjetë kilogramësh ari. Faraoni Nekoh bëri mbret Eliakimin, birin e Josisë, të cilit ia ndryshoi emrin në Jehojakim dhe e vuri të mbretërojë në vend të Josisë, atit të tij. Jehoahazin faraoni e mori rob në Egjipt, ku edhe vdiq. Jehojakimi ia dha argjendin dhe arin faraonit, por, për t'ia plotësuar kërkesën, e ngarkoi vendin me tatime. Ai e detyroi të gjithë popullin të paguante sasinë e argjendit dhe të arit të caktuar për secilin, në mënyrë që t'i jepej faraonit. Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Zebida dhe ishte bija e Pedajahut nga Rumahu. Jehojakimi bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishin bërë paraardhësit e tij. Gjatë mbretërimit të Jehojakimit, erdhi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, dhe Jehojakimi iu nënshtrua për tre vjet, por më pas ngriti krye kundër tij. Atëherë Zoti dërgoi kundër Jehojakimit çeta kaldenjsh, arameasish, moabitësh dhe amonitësh. I dërgoi kundër Judës, që ta shkatërronin, sipas fjalës që kishte thënë Zoti përmes profetëve, shërbëtorëve të tij. Kjo ndodhi me urdhër të Zotit, i cili donte ta dëbonte Judën nga prania e tij për shkak të mëkateve të Manaseut, për gjithçka që ai kishte bërë, si edhe për gjakun e pafajshëm që kishte derdhur e me të cilin kishte mbushur rrugët e Jerusalemit. Prandaj Zoti nuk donte të falte. Bëmat e tjera të Jehojakimit dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Jehojakimi u preh me paraardhësit e tij dhe në vend të tij mbretëroi Jehojakini, i biri. Mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij për të sulmuar, sepse mbreti i Babilonisë kishte pushtuar gjithçka që kishte qenë nën sundimin e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit e deri në lumin Eufrat. Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tre muaj në Jerusalem. E ëma e tij quhej Nehushta dhe ishte e bija e Elnatanit nga Jerusalemi. Jehojakini bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati. Në atë kohë, ushtria e Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, sulmoi Jerusalemin dhe e rrethoi. Ndërsa ushtria e mbante qytetin të rrethuar, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi vetë në Jerusalem. Atëherë Jehojakini, mbreti i Judës, iu dorëzua mbretit të Babilonisë bashkë me të ëmën, me shërbëtorët, me zyrtarët dhe me oborrtarët e tij. Kështu, Nabukodonosori e mori rob në Babiloni Jehojakinin në vitin e tetë të mbretërimit të tij. Nabukodonosori plaçkiti të gjithë thesarin e tempullit të Zotit bashkë me thesarin e pallatit mbretëror dhe të gjitha pajisjet prej ari, që kishte punuar Solomoni për tempullin e Zotit i theu në copa, ashtu siç kishte thënë Zoti. Ai shpërnguli mbarë Jerusalemin, të gjithë zyrtarët dhe të gjithë luftëtarët e fortë, dhjetë mijë të shpërngulur bashkë me të gjithë marangozët dhe farkëtarët. Në Jerusalem mbeti vetëm populli i varfër i vendit. Nabukodonosori e shpërnguli Jehojakinin nga Jerusalemi në Babiloni, bashkë me nënën mbretëreshë, me gratë e mbretit, me oborrtarët e tij dhe me fisnikët e vendit. Mbreti i Babilonisë shpërnguli në Babiloni edhe të gjithë luftëtarët trima, gjithsej shtatë mijë, marangozët dhe farkëtarët, gjithsej një mijë, si edhe të gjithë luftëtarët. Në vend të Jehojakinit, Nabukodonosori caktoi mbret Matanjahun, ungjin e Jehojakimit, të cilit ia ndryshoi emrin në Sedekia. Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Hamitala dhe ishte bija e Jeremisë nga Libnahu. Sedekia bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe Jehojakimi. Ishte Zoti ai që nga zemërimi i solli këto fatkeqësi mbi Jerusalemin dhe mbi Judën, derisa i dëboi nga prania e tij. Edhe Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë. Në ditën e dhjetë të muajit të dhjetë të vitit të nëntë të mbretërimit të Sedekisë, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij për të sulmuar Jerusalemin, ngriti fushimin përballë qytetit dhe ngriti një mur rrethues rreth e rrotull tij. Qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Sedekisë. Ditën e nëntë të muajit të katërt uria u bë aq e rëndë në qytet, saqë nuk kishte më ushqim për popullin. Atë ditë u bë një e çarë në muret e qytetit dhe të gjithë luftëtarët u larguan natën nga qyteti në drejtim të Arabahut përmes portës që ndodhej mes dy mureve, pranë kopshtit të mbretit, ndonëse kaldenjtë e mbanin qytetin të rrethuar. Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku edhe i shpallën dënimin. Bijtë e Sedekisë i vranë para syve të tij, ndërsa vetë Sedekisë i nxorën sytë, e lidhën me vargonj prej bronzi dhe e çuan në Babiloni. Në ditën e shtatë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit në Babiloni, Nebuzaradani, kreu i truprojës dhe nëpunës i mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. Ai dogji tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. Mbarë ushtria e kaldenjve bashkë me kreun e truprojës shkatërruan muret e qytetit. Pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë dhe mbarë popullin e mbetur Nebuzaradani, kreu i truprojës, i shpërnguli në mërgim. Ai la pas vetëm disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi. Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e Zotit dhe bronzin e çuan në Babiloni. Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat e tempullit. Kreu i truprojës mori të gjitha pajisjet prej ari dhe argjendi, bashkë me mangallët dhe me kupat e arta. Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve që kishte punuar Solomoni për tempullin e Zotit, të të dy shtyllave, të detit prej metali dhe të bazave, nuk mund të llogaritej. Lartësia e secilës shtyllë ishte nëntë metra dhe lartësia e krythave që ndodheshin mbi to, ishte nga një metër e gjysmë. Krythat ishin të rrethuara me rrjeta të thurura dhe me vargje shegësh, të gjitha prej bronzi. Edhe shtylla tjetër kishte të njëjtat zbukurime. Kreu i truprojës mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e dytë Sofoni dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, pesë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në qytet. Nebuzaradani, kreu i truprojës, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e la një pjesë të popullit të qëndrojë në tokën e Judës dhe u caktoi si qeveritar Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit. Kur krerët e grupimeve të mbetura ushtarake dëgjuan se mbreti i Babilonisë kishte caktuar qeveritar Gedaliahun, shkuan tek ai në Micpah. Këta ishin Ishmaeli, biri i Netanjahut, Johanani, biri i Kareahut, Serajahu, biri i Tanhumetit, netofatitit, dhe Jazanjahu, biri i Makatitit, bashkë me luftëtarët e tyre. Atëherë Gedaliahu iu përbetua atyre dhe luftëtarëve të tyre e u tha: «Mos kini frikë nga zyrtarët kaldenj. Banoni në tokën tuaj, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do të jeni mirë». Por në muajin e shtatë, Ishmaeli, biri i Netanjahut, të birit të Elishamait, që kishte prejardhje mbretërore, erdhi me dhjetë burra dhe e goditi Gedaliahun për vdekje. Gedaliahu vdiq bashkë me judenjtë dhe kaldenjtë që ishin me të në Micpah. Atëherë mbarë populli, i madh e i vogël, bashkë me krerët e ushtrisë, u ngritën e shkuan në Egjipt nga frika e kaldenjve. Tridhjetë e shtatë vjet pas shpërnguljes në robëri të Jehojakinit, mbretit të Judës, Evil Merodaku u bë mbret i Babilonisë. Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dymbëdhjetë të atij viti, ai e liroi nga burgu Jehojakinin, mbretin e Judës. Ai fliste me dashamirësi me Jehojakinin dhe i caktoi një fron më të lartë se mbretërit e tjerë që ishin me të në Babiloni. Jehojakini ndërroi rrobat e burgut dhe hëngri në një tryezë me mbretin deri në fund të jetës. Sa qe gjallë, mbreti i Babilonisë i jepte çdo ditë sasinë e caktuar të gjërave që i nevojiteshin. Adami, Seti, Enoshi, Kenani, Mahalaleli, Jaredi, Enoku, Metushelahu, Lameku, Noeu, Semi, Kami e Jafeti. Bijtë e Jafetit ishin Gomeri, Magogu, Madai, Javani, Tubali, Mesheku e Tirasi. Bijtë e Gomerit, Ashkenazi, Rifati e Togarmahu. Bijtë e Javanit, Elishahu, Tarshishi, Kitimi e Rodanimi. Bijtë e Kamit, Kushi, Micraimi, Puti e Kanaani. Bijtë e Kushit, Sebai, Havilahu, Sabtai, Ramai e Sabtekai. Bijtë e Ramait, Shebai e Dedani. Kushit i lindi Nimrodi. Ai u bë kreshniku i parë në tokë. Micraimit i lindën luditët, anamitët, lehabitët, naftuhitët, patrusitët dhe kasluhitët. Prej tyre dolën filistinët dhe kaftoritët. Kanaanit i lindën Sidoni, i parëlinduri, Heti, jebusitët, amoritët, girgashitët, hivitët, arkitët, sinitët, arvaditët, cemaritët dhe hamatitët. Bijtë e Semit ishin Elami, Ashuri, Arpahshadi, Ludi e Arami. Bijtë e Aramit, Uci, Huli, Geteri e Mesheku. Arpahshadit i lindi Shelahu e Shelahut i lindi Eberi. Eberit i lindën dy bij. Njëri quhej Peleg, se në kohën e tij u nda toka. Vëllai i tij quhej Joktan. Joktanit i lindi Almodadi, Shelefi, Hacarmaveti, Jerahu, Hadorami, Uzali, Diklahu, Ebali, Abimaeli, Shebai, Ofiri, Havilahu e Jobabi. Të gjithë këta ishin bijtë e Joktanit. Semi, Arpahshadi, Shelahu, Eberi, Pelegu, Reui, Serugu, Nahori, Terahu, Abrami, domethënë Abrahami. Bijtë e Abrahamit ishin Isaku e Ishmaeli. Këto janë breznitë: i parëlinduri i Ishmaelit ishte Nebajoti, pastaj Kedari, Adbeli, Mibsami, Mishmai, Dumahu, Masai, Hadadi, Temai, Jeturi, Nafishi e Kedmahu. Këta janë bijtë e Ishmaelit. Bijtë që i lindën Keturasë, shemrës së Abrahamit ishin Zimrani, Jokshani, Medani, Midiani, Ishbaku e Shuahu. Bijtë e Jokshanit, Shebai e Dedani. Bijtë e Midianit, Efahu, Eferi, Enoku, Abidai dhe Eldahu. Të gjithë këta ishin bijtë e Keturasë. Abrahamit i lindi Isaku. Bijtë e Isakut ishin Esau e Izraeli. Bijtë e Esaut, Elifazi, Reueli, Jeushi, Jalami e Korahu. Bijtë e Elifazit, Temani, Omari, Cefoi, Gatami, Kenazi, Timnai dhe Amaleku. Bijtë e Reuelit, Nahati, Zerahu, Shamahu e Mizahu. Bijtë e Seirit ishin Lotani, Shobali, Cibeoni, Anahu, Dishoni, Eceri e Dishani. Bijtë e Lotanit, Horiu e Homami. Motra e Lotanit ishte Timna. Bijtë e Shobalit ishin Alvani, Manahati, Ebali, Shefiu dhe Onami. Bijtë e Cibeonit, Ajahu e Anahu. Bijtë e Anahut, Dishoni. Bijtë e Dishonit, Hamrani, Eshbani, Itrani e Kerani. Bijtë e Ecerit, Bilhani, Zavani e Jakani. Bijtë e Dishonit, Uci e Arani. Këta janë mbretërit që mbretëruan në tokën e Edomit, para se të mbretëronte një mbret mbi izraelitët: Belai, biri i Beorit. Qyteti i tij quhej Dinhabah. Belai vdiq e në vend të tij mbretëroi Jobabi, biri i Zerahut nga Bocrahu. Edhe Jobabi vdiq e në vend të tij mbretëroi Hushami, nga toka e temanitëve. Edhe Hushami vdiq e në vend të tij mbretëroi Hadadi, biri i Bedadit. Ai i mposhti midianitët në fushën e Moabit. Qyteti i tij quhej Avit. Edhe Hadadi vdiq e në vend të tij mbretëroi Samlahu nga Masrekahu. Edhe Samlahu vdiq e në vend të tij mbretëroi Sauli, nga Rehoboti i Eufratit. Edhe Sauli vdiq e në vend të tij mbretëroi Baal Hanani, biri i Akborit. Edhe Baal Hanani vdiq e në vend të tij mbretëroi Hadadi. Qyteti i tij quhej Pau e gruaja e tij quhej Mehetabelë, bija e Matredës, të bijës së Mezahabit. Edhe Hadadi vdiq. Prijësit e Edomit ishin prijësi Timna, prijësi Alvah, prijësi Jetet, prijësi Oholibamah, prijësi Elah, prijësi Pinon, prijësi Kenaz, prijësi Teman, prijësi Mibcar, prijësi Magdiel e prijësi Iram. Këta ishin prijësit e Edomit. Këta janë bijtë e Izraelit: Rubeni, Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Zabuloni, Dani, Jozefi, Benjamini, Neftaliu, Gadi e Asheri. Bijtë e Judës ishin Eri, Onani e Shelahu. Të tre i lindën nga Batshua Kananitja, por Eri, i parëlinduri i Judës, u tregua i lig para Zotit, prandaj ai e vrau. Tamara, e reja e tij, i lindi Perecin e Zerahun. Juda pati gjithsej pesë bij. Bijtë e Perecit ishin Hecroni e Hamuli. Bijtë e Zerahut, Zimriu, Etani, Hemani, Kalkoli, Darai. Gjithsej pesë. Bijtë e Harmiut, Ahari, rrëmujtari i Izraelit, i cili tradhtoi në lidhje me gjërat e ndaluara. Bijtë e Etanit, Azarjahu. Bijtë që i lindën Hecronit ishin Jerahmeli, Rami e Kelubai. Ramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Nahshoni, prijësi i bijve të Judës. Nahshonit i lindi Salmai, Salmait i lindi Boazi. Boazit i lindi Obedi, Obedit i lindi Jeseu. Jeseut i lindi Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi, i dyti, Shimeai, i treti, Netaneli, i katërti, Radai, i pesti, Ocemi, i gjashti, dhe Davidi, i shtati. Motrat e tyre ishin Cerujaha e Abigajla. Të bijtë e Cerujahës ishin tre: Abishai, Joabi e Asaheli. Abigajlës i lindi Amasai. I ati i Amasait ishte Jetër Ishmaeliti. Kalebi, biri i Hecronit, pati fëmijë edhe me gruan e vet Azubanë, edhe me Jeriotën. Bijtë e saj ishin Jesheri, Shobabi e Ardoni. Kur vdiq Azubaja, Kalebi u martua me Efratën, e cila i lindi Hurin. Hurit i lindi Uriu e Uriut i lindi Becaleli. Pastaj Hecroni shkoi me të bijën e Makirit, të atit të Gileadit, me të cilën u martua kur ishte gjashtëdhjetë vjeç. Ajo i lindi Segubin. Segubit i lindi Jairi. Ai kishte njëzet e tre qytete në tokën e Gileadit. Geshuri e Arami ua morën fshatrat e Jairit me Kenatin e me rrethinat, gjithsej gjashtëdhjetë qytete. Të gjithë këta ishin bijtë e Makirit, atit të Gileadit. Pas vdekjes së Hecronit, Kalebi shkoi me Efratën, gruan e Hecronit, atit të vet, e cila i lindi Ashhurin, të atin e Tekoasë. Bijtë e Jerahmelit, të parëlindurit të Hecronit, ishin Rami, i parëlinduri, pastaj Oreni, Ocemi e Ahijahu. Jerahmeli pati edhe një grua tjetër me emrin Atara. Ajo qe e ëma e Onamit. Bijtë e Ramit, të parëlindurit të Jerahmelit, ishin Maaci, Jamini dhe Ekeri. Bijtë e Onamit ishin Shamai e Jadai. Bijtë e Shamait, Nadabi e Abishuri. Gruaja e Abishurit quhej Abihajla. Ajo i lindi Ahbanin e Molidin. Bijtë e Nadabit ishin Seledi e Apajimi. Seledi vdiq pa lënë fëmijë. Bijtë e Apajimit ishin Ishiu. Bijtë e Ishiut, Sheshani. Bijtë e Sheshanit, Ahlai. Bijtë e Jadait, vëllait të Shamait, Jetri e Jonatani. Jetri vdiq pa lënë fëmijë. Bijtë e Jonatanit, Peleti e Zazai. Këta ishin pasardhësit e Jerahmelit. Sheshani nuk pati bij, por bija. Ai pati edhe një skllav egjiptian që quhej Jarha. Sheshani i dha të bijën për grua Jarhait dhe ajo i lindi Atajin. Atajit i lindi Natani, Natanit i lindi Zabadi, Zabadit i lindi Eflali dhe Eflalit i lindi Obedi, Obedit i lindi Jehu, Jehut i lindi Azarjahu, Azarjahut i lindi Haleci, Halecit i lindi Eleasahu, Eleasahut i lindi Sismai, Sismait i lindi Shalumi, Shalumit i lindi Jekamiahu, Jekamiahut i lindi Elishamai. Bijtë e Kalebit, vëllait të Jerahmelit, ishin Meshai, i parëlinduri i tij, i ati i Zifit; i biri i Mareshahut ishte i ati i Hebronit. Bijtë e Hebronit ishin Korahu, Tapuahu, Rekemi e Shemai. Shemait i lindi Rahami, i ati i Jorkeamit. Rekemit i lindi Shamai. Bijtë e Shamait, Maoni, i ati i Betcurit. Efahaja, shemra e Kalebit, lindi Haranin, Mocain e Gazezin. Haranit i lindi Gazezi. Bijtë e Jahdait, Regemi, Jotami, Geshani, Peleti, Efahu e Shafi. Maka, shemra e Kalebit, lindi Sheberin e Tirhanahun. Ajo lindi edhe Shafin, të atin e Madmanahut, Shevain, të atin e Makbenahut dhe të atin e Gibeait. Bija e Kalebit qe Aksahaja. Këta qenë bijtë e Kalebit. Bijtë e Hurit, të parëlindurit të Efratahut ishin Shobali, i ati i Kirjat Jearimit, Salmai, i ati i Betlehemit, dhe Harefi, i ati i Betgaderit. Bijtë e Shobalit, të atit të Kirjat Jearimit, ishin Haroehu, gjysma e manahatitëve, fiset e Kirjat Jearimit, hitritët, putitët, shumatitët e mishraitët. Prej tyre dolën coratitët dhe eshtaolitët. Bijtë e Salmait ishin Betlehemi, netofatitët, atrotbetjoabitët, gjysma e manahatitëve, coritët, fiset e shkruesve, që banonin në Jabec, tiratitët, shimeatitët e sukatitët. Këta qenë kenitët që vinin nga Hamani, i ati i Bet Rekabit. Këta janë bijtë e Davidit që i lindën në Hebron: Amnoni, i parëlinduri prej Ahinoamës nga Izreli, i dyti Danieli, nga Abigajla prej Karmeli, i treti Absalomi, biri i Makës, së bijës së Talmait, mbretit të Geshurit, i katërti Adonjahu, biri i Hagitës, i pesti Shefatjahu i Abitalës, i gjashti Itreami, prej Eglasë, gruas së vet. Gjashtë i lindën në Hebron. Ai mbretëroi atje për shtatë vjet, ndërsa në Jerusalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet. Në Jerusalem i lindën këta: Shimeai, Shobabi, Natani, Solomoni, të katërt prej Batshuasë, bijës së Amielit, pastaj Ibhari, Elishamai, Elifeleti, Nogahu, Nefegu, Jafiai, Elishamai, Eliadai, Elifeleti, pra nëntë. Të gjithë ishin bij të Davidit, pa bijtë e shemrave. Për motër kishin Tamarën. Biri i Solomonit qe Rehoboami, që pati për bir Abijahun, që pati për bir Asain, që pati për bir Joshafatin, që pati për bir Joramin, që pati për bir Ahazjahun, që pati për bir Joashin, që pati për bir Amacjahun, që pati për bir Azarjahun, që pati për bir Jotamin, që pati për bir Ahazin, që pati për bir Ezekinë, që pati për bir Manaseun, që pati për bir Amonin, që pati për bir Josinë. Bijtë e Josisë ishin i parëlinduri, Jonatani, i dyti Jehojakimi, i treti Sedekia, i katërti Shalumi. Bijtë e Jehojakimit, Jehonjahu, biri i tij, që pati për bir Sedekinë. Bijtë e Jehonjahut, të robëruarit, Shealtieli, Malkirami, Pedajahu, Shenacari, Jekamiahu, Hoshamai e Nedabjahu. Bijtë e Pedajahut, Zorobabeli e Shimei. Bijtë e Zorobabelit, Meshulami e Hananiahu, që patën për motër Shelomitën, Hashubahu, Oheli, Berekjahu, Hasadiahu e Jushab Hesedi, pra pesë. Bijtë e Hananiahut, Pelatiahu, që pati për bir Jeshajahun, që pati për bir Refajahun, që pati për bir Arnanin, që pati për bir Abdinë, që pati për bir Shekanjahun. Bijtë e Shekanjahut, Shemajahu. Bijtë e Shemajahut, Hatushi, Igali, Barjahu, Nearjahu e Shafati, pra gjashtë. Bijtë e Nearjahut, Eljoenai, Ezekia e Azrikami, pra tre. Bijtë e Eljoenait, Hodavjahu, Eliashibi, Pelajahu, Akubi, Johanani, Delajahu e Ananiu, pra shtatë. Bijtë e Judës ishin Pereci, Hecroni, Harmiu, Huri e Shobali. Reajahut, birit të Shobalit, i lindi Jahati, Jahatit i lindi Ahumaji e Lahadi. Këta ishin fiset e coratitëve. Bijtë e Etamit ishin këta: Izreli, Ishmai e Idbashi. Motra e tyre quhej Haclelponia. Penueli ishte i ati i Gedorit, ndërsa Ezeri i ati i Hushahut. Bijtë e Hurit ishin këta: Efratahu, i parëlinduri, i ati i Betlehemit. Ashhuri, i ati i Tekoasë, pati dy gra: Helahanë e Narahanë. Narahaja i lindi Ahuzamin, Heferin, Temenin e Ahashtarin. Këta qenë bijtë e Narahasë. Bijtë e Helahasë ishin Cereti, Ichari dhe Etnani. Kocit i lindi Anubi, Cobebahu dhe fiset e Aharhelit, të birit të Harumit. Jabeci ishte më i nderuari ndër vëllezërit e vet, prandaj e ëma e quajti Jabec, sepse tha: «E linda me dhimbje». Jabeci e thirri Perëndinë e Izraelit, e tha: «Ah, sikur të më bekoje e të m'i zgjeroje kufijtë! Sikur të më përkrahje e të më ruaje nga e keqja, që të mos lëngoj!». Perëndia ia plotësoi kërkesën. Kelubit, vëllait të Shuhahut, i lindi Mehiri që ishte i ati i Eshtonit. Eshtonit i lindi Bet Rafai, Paseahu dhe Tehinahu, ati i Ir Nahashit. Këta qenë burrat e Rekahut. Bijtë e Kenazit ishin Otnieli e Serajahu. Bijtë e Otnielit, Hatati e Meonotai, të cilit i lindi Ofrahu. Serajahut i lindi Joabi, i ati i Ge Harashimit, që do të thotë zejtarë. Bijtë e Kalebit, birit të Jefunehut ishin Irui, Elahu e Naami. Biri i Elahut, Kenazi. Bijtë e Jehalelelit, Zifi, Zifahu, Tirjai e Asareli. Bijtë e Ezrës, Jetri, Meredi, Eferi e Jaloni. Ajo ngjizi Mirjamën, Shamain e Ishbahun, të atin e Eshtmoas. Gruaja e tij judease lindi Jaredin, të atin e Gedorit, Heberin, të atin e Sokohut, dhe Jekutielin, të atin e Zanoahut. Këta qenë bijtë e Bitjahasë, bijës së faraonit, me të cilën ishte martuar Meredi. Bijtë e gruas së Hodiahut, motrës së Nahamit ishin i ati i Kejlah Garmitit dhe Eshtemoa Makatitit. Bijtë e Simeonit, Amnoni, Rinahu, Ben Hanani e Tiloni. Bijtë e Ishiut, Zoheti e Ben Zoheti. Bijtë e Shelahut, birit të Judës, Eri, i ati i Lekahut, Ladahu, i ati i Mareshahut, fiset e punishtes së lirit, në Bet Ashbea, Jokimi, njerëzit e Kozebasë, Joashi e Sarafi, që sunduan në Moab e u kthyen në Lehem. Këto janë shënime të lashta. Ata ishin poçarë e banonin në Netaim e Gederah. Banuan atje me mbretin, në shërbim të tij. Bijtë e Simeonit ishin Nemueli, Jamini, Jaribi, Zerahu, Sauli, që pati për bir Shalumin, që pati për bir Mibsamin, që pati për bir Mishmain. Bijtë e Mishmait, Hamueli, që pati për bir Zakurin, që pati për bir Shimein. Shimei pati gjashtëmbëdhjetë bij e gjashtë bija. Vëllezërit e tij nuk patën shumë bij dhe tërë fisi i tyre nuk u shumua sa fisi i Judës. Ata u vendosën në Bershebë, në Moladah, në Hacar Shual, në Bilhah, në Ecem, në Tolad, në Betuel, në Hormah, në Ciklag, në Bet Markabot, në Hacar Susah, në Bet Biri e në Sharaim. Këto ishin qytetet e tyre deri në mbretërimin e Davidit. Fshatrat e tyre ishin Etami, Aini, Rimoni, Toheni e Ashani, pra pesë, përveç gjithë fshatrave të tyre rreth qyteteve, deri në Baal. Këto qenë vendbanimet e tyre me breznitë përkatëse. Meshobabi, Jamleku, Joshahu, biri i Amacjahut, Joeli, Jehu, biri i Joshibjahut, të birit të Serajahut, të birit të Asielit, Eljoenai, Jakobahu, Jeshohajahu, Asajahu, Adieli, Jesimieli, Benajahu, Zizai, biri i Shifiut, të birit të Alonit, të birit të Jedajahut, të birit të Shimriut, të birit të Shemajahut. Këta, renditur me emër, qenë princat e fiseve përkatëse. Farefisi i tyre u përhap shumë. Ata shkuan në hyrje të Gedorit, deri në lindje të luginës, për të kërkuar kullota për grigjat e veta. Gjetën kullota të majme e të mira dhe vendi ishte i gjerë nga të dyja anët, i qetë e i shtruar, sepse më parë aty kishin qenë banorët e Kamit. Por këta, emrat e të cilëve u shënuan në kohën e Ezekisë, mbretit të Judës, erdhën, sulmuan tendat e tyre bashkë me meunitët, që gjendeshin aty, i shfarosën e sot nuk u gjendet fara. Pastaj u vendosën në vend të tyre, sepse aty kishte kullota për grigjat. Disa prej tyre, pesëqind burra prej pasardhësve të Simeonit, shkuan në malin Seir me në krye Pelatiahun, Nearjahun, Refajahun e Uzielin, birin e Ishiut. Sulmuan pjesën tjetër të amalekitëve që kishin shpëtuar e banuan aty gjer më sot. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, se ai ishte i parëlinduri, megjithëse i përdhosi shtrojat e të atit. Prandaj e drejta e parëlindjes iu dha bijve të Jozefit, të birit të Izraelit, e Rubenit nuk iu quajt parëlindja. Megjithëse Juda u bë më i forti ndër vëllezër e prej tij doli prijësi, e drejta e parëlindjes i takoi Jozefit. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit ishin Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. Bijtë e Joelit, Shemajahu, që pati për bir Gogun, që pati për bir Shimein, që pati për bir Mikahun, që pati për bir Reajahun, që pati për bir Baalin, që pati për bir Berahun, të cilin e mori peng Tiglat Pileseri, mbreti i Asirisë. Ai qe prijësi i rubenitëve. Vëllezërit e tij, sipas fiseve, siç janë renditur në librin e Breznive, janë: i pari Jejeli, pastaj Zakaria, Belai, biri i Azazit, të birit të Shemait, të birit të Joelit, që jetonte në Aroer dhe shtrihej gjer në Nebo e në Baal Meon Në lindje shtrihej gjer ku fillonte shkretëtira, këtej Eufratit, sepse grigjat e tyre u shumuan në dheun e Gileadit. Në kohën e Saulit ata luftuan me hagritët. Kur këta u ranë në dorë, u vendosën në tendat e tyre në mbarë anën lindore të Gileadit. Kundruall tyre, në dheun e Bashanit, deri në Salkah, banonin bijtë e Gadit, i pari Joeli, i dyti Shafami, pastaj Janai e Shafati në Bashan. Vëllezërit e tyre, sipas shtëpive të të parëve të vet, ishin Mikaeli, Meshulami, Shebai, Jorai, Jakani, Ziai dhe Eberi, pra shtatë. Këta ishin bijtë e Abihajlit, birit të Huriut, të birit të Jaroahut, të birit të Gileadit, të birit të Mikaelit, të birit të Jeshishait, të birit të Jahdoit, të birit të Buzit. Ahiu, biri i Abdielit, të birit të Guniut, ishte kreu i shtëpisë së të parëve. Ata banonin në Gilead, në Bashan e në rrethinat e tij dhe në të gjitha kullotat e Sharonit deri në skajet e tyre. Të gjitha këto janë shkruar në kronikat e Jotamit, mbretit të Judës, në kohën e Jeroboamit, mbretit të Izraelit. Bijtë e Rubenit, gaditët dhe gjysma e fiseve të Manaseut, burra të fuqishëm, të pajisur me shqyt e shpatë, përdorues të harkut e të mësuar me beteja, ishin dyzet e katër mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë, të gatshëm për luftë. Ata bënë luftë me hagritët, me Jeturin, Nafishin e Nodabin dhe morën ndihmë kundër tyre. Thirrën Perëndinë në betejë e ai iu përgjigj, se besuan në të. Hagritët u dorëzuan me gjithë sa ishin bashkuar me ta. Atëherë u rrëmbyen bagëtitë, pesëdhjetë mijë deve, dyqind e pesëdhjetë mijë dele, dy mijë gomarë; dhe njëqind mijë njerëz. Shumë vetë mbetën të vrarë, sepse kjo luftë ishte dërguar nga Perëndia. Pastaj banuan në vend të tyre deri në kohën e shpërnguljes. Bijtë e gjysmës së fisit të Manaseut banonin në tokën ndërmjet Bashanit e Baal Hermonit, në Senir e në malin Hermon. Ata ishin të shumtë. Krerët e shtëpive të të parëve të tyre ishin këta: Eferi, Ishiu, Elieli, Azrieli, Jeremia, Hodavjahu e Jahdieli, njerëz të fuqishëm, burra me emër, krerët e shtëpive të të parëve të vet. Por ata e tradhtuan Perëndinë e etërve të vet dhe kurvëruan me perënditë e popujve të atij vendi, të cilët Perëndia i kishte shkërmoqur para syve të tyre. Atëherë Perëndia i Izraelit ia trazoi shpirtin Pulit, mbretit të Asirisë, edhe Tiglat Pileserit, mbretit tjetër të Asirisë, i cili i shpërnguli rubenitët, gaditët dhe gjysmën e fisit të Manaseut e i çoi në Halah, në Habor, në Hara e pranë lumit të Gozanit, gjer më sot. Bijtë e Levit ishin Gershoni, Kohati e Merari. Bijtë e Kohatit, Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Bijtë e Amramit, Aroni, Moisiu e Mirjama. Bijtë e Aronit, Nadabi, Abihui, Eleazari e Itamari. Eleazarit i lindi Finehasi, Finehasit i lindi Abishuai, Abishuait i lindi Bukiu, Bukiut i lindi Uziu, Uziut i lindi Zerahjahu, Zerahjahut i lindi Merajoti, Merajotit i lindi Amarjahu, Amarjahut i lindi Ahitubi, Ahitubit i lindi Cadoku, Cadokut i lindi Ahimaci, Ahimacit i lindi Azarjahu, Azarjahut i lindi Johanani, Johananit i lindi Azarjahu, i cili kreu shërbesën priftërore në tempullin që ndërtoi Solomoni në Jerusalem. Azarjahut i lindi Amarjahu, Amarjahut i lindi Ahitubi, Ahitubit i lindi Cadoku, Cadokut i lindi Shalumi, Shalumit i lindi Hilkiahu, Hilkiahut i lindi Azarjahu, Azarjahut i lindi Serajahu, Serajahut i lindi Jehocadaku. Jehocadaku u shpërngul kur Zoti e dëboi Judën dhe Jerusalemin me anë të Nabukodonosorit. Bijtë e Levit ishin Gershomi, Kohati e Merari. Emrat e bijve të Gershomit janë këta: Libniu e Shimei. Bijtë e Kohatit ishin Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Bijtë e Merarit, Mahliu e Mushiu. Këta ishin fiset e levitëve sipas të parëve të tyre. Gershomi pati për bir Libniun, që pati për bir Jahatin, që pati për bir Zimahun, që pati për bir Joahun, që pati për bir Idoin, që pati për bir Zerahun, që pati për bir Jeaterain. Bijtë e Kohatit ishin Aminadabi, që pati për bir Korahun, që pati për bir Asirin, që pati për bir Elkanahun, që pati për bir Ebiasafin, që pati për bir Asirin, që pati për bir Tahatin, që pati për bir Urielin, që pati për bir Uziahun, që pati për bir Saulin. Bijtë e Elkanahut, Amasai e Ahimoti, që pati për bir Elkanahun, që pati për bir Cofain, që pati për bir Nahatin, që pati për bir Eliabin, që pati për bir Jerohamin, që pati për bir Elkanahun. Bijtë e Samuelit, Joeli, i parëlinduri, dhe Abijahu, i dyti. Bijtë e Merarit, Mahliu, që pati për bir Libniun, që pati për bir Shimein, që pati për bir Uzain, që pati për bir Shimeain, që pati për bir Hagjahun, që pati për bir Asajahun. Këta janë njerëzit që Davidi caktoi për t'u marrë me këndimin në tempullin e Zotit pas vendosjes së arkës. Ata kishin shërbyer me këngë para ngrehinës së tendës së takimit deri kur Solomoni ndërtoi tempullin në Jerusalem. E kryenin shërbesën sipas rregullores. Këta janë shërbestarët e bijtë e tyre. Prej bijve të Kohatit ishin Hemani, këngëtar, biri i Joelit, të birit të Samuelit, të birit të Elkanahut, të birit të Jerohamit, të birit të Elielit, të birit të Toahut, të birit të Cifit, të birit të Elkanahut, të birit të Mahatit, të birit të Amasait, të birit të Elkanahut, të birit të Joelit, të birit të Azarjahut, të birit të Sofonisë, të birit të Tahatit, të birit të Asirit, të birit të Ebiasafit, të birit të Korahut, të birit të Icharit, të birit të Kohatit, të birit të Levit, të birit të Izraelit. Ai kishte vëlla Asafin që i rrinte në të djathtë. Asafi ishte biri i Berekjahut, të birit të Shimeait, të birit të Mikaelit, të birit të Basejahut, të birit të Malkjahut, të birit të Etniut, të birit të Zerahut, të birit të Adajahut, të birit të Etanit, të birit të Zimahut, të birit të Shimeit të birit të Jahatit, të birit të Gershomit, të birit të Levit. Vëllezërit që u rrinin në të majtë, bijtë e Merarit, ishin: Etani, biri i Kishiut, të birit të Abdiut, të birit të Malukut, të birit të Hashabiahut, të birit të Amacjahut, të birit të Hilkiahut, të birit të Amciut, të birit të Baniut, të birit të Shemerit, të birit të Mahliut, të birit të Mushiut, të birit të Merarit, të birit të Levit. Levitët, vëllezërit e tyre, ishin caktuar për çdo shërbesë në ngrehinën e tempullit të Perëndisë. Aroni e bijtë e tij i digjnin flijimet mbi altarin e shkrumbimit e mbi altarin e temjanit. I kushtoheshin punës në shenjtëroren e shenjtëroreve dhe kryenin shlyerjen e Izraelit, sipas gjithçkaje që kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Perëndisë. Bijtë e Aronit janë këta: Eleazari, që pati për bir Finehasin, që pati për bir Abishuain, që pati për bir Bukiun, që pati për bir Uziun, që pati për bir Zerahjahun, që pati për bir Merajotin, që pati për bir Amarjahun, që pati për bir Ahitubin, që pati për bir Cadokun, që pati për bir Ahimacin. Këto ishin vendbanimet e tyre sipas kufijve të fushimeve të tyre: bijve të Aronit prej fisit të kohatitëve, të cilëve u ra shorti, u dhanë Hebronin, në tokën e Judës, me kullotat përreth. Fushat e qytetit e fshatrat e tij ia dhanë Kalebit, të birit të Jefunehut. Bijve të Aronit u dhanë qytetet e strehimit, Hebronin, Libnahun me kullota, Jatirin, Eshtemoan me kullota, Hilezin me kullota, Debirin me kullota, Ashanin me kullota, Bet Shemeshin me kullota dhe, nga fisi i Benjaminit, Gebën me kullota, Alemetin me kullota e Anatotin me kullota. Gjithsej trembëdhjetë qytete, sipas fiseve të tyre. Bijve të tjerë të Kohatit, sipas fiseve të tyre, u takuan me short dhjetë qytete nga gjysma e fisit, nga gjysma e Manaseut. Bijve të Gershomit, sipas fiseve të tyre, u takuan me short trembëdhjetë qytete nga fisi e Isaharit, nga fisi i Neftaliut e nga fisi i Manaseut në Bashan. Bijve të Merarit, sipas fiseve të tyre, u takuan me short dymbëdhjetë qytete nga fiset e Rubenit, të Gadit e të Zabulonit. Bijtë e Izraelit u dhanë levitëve qytetet e veta bashkë me kullotat. U dhanë me short prej fiseve të bijve të Judës, të bijve të Simeonit e prej fisit të bijve të Benjaminit këto qytete, që përmenden me emër. Disa prej fiseve të bijve të Kohatit i morën qytetet e trojeve të veta nga fisi i Efraimit. Atyre u dhanë si qytet strehimi Shekemin me kullota, në malin Efraim, Gezerin me kullota, Jokmeamin me kullota, Bet Horonin me kullota, Ajalonin me kullota, Gat Rimonin me kullota dhe, nga gjysma e fisit të Manaseut, Anerin me kullota, Balaamin me kullota për bijtë e tjerë të fisit të Kohatit. Bijve të Gershomit u takoi nga gjysma e fisit të Manaseut, Golani në Bashan me kullota e Ashtaroti me kullota; nga fisi i Isaharit, Kedeshi me kullota e Daberati me kullota, Ramoti me kullota e Anemi me kullota; nga fisi i Asherit, Mashali me kullota, Abdoni me kullota, Hukoku me kullota e Rehobi me kullota; nga fisi i Neftaliut, Kedeshi në Galile me kullota, Hamoni me kullota e Kirjataimi me kullota. Bijve të tjerë të Merarit u takoi nga fisi i Zabulonit, Rimoni me kullota e Tabori me kullota. Përtej Jordanit në Jeriko, në lindje të Jordanit, nga fisi i Rubenit, u takoi, Beceri, në shkretëtirë, me kullota, Jahaci me kullota, Kedmoti me kullota e Mefati me kullota; nga fisi i Gadit, Ramoti në Gilead me kullota, Mahanaimi me kullota, Heshboni me kullota e Jazeri me kullota. Bijtë e Isaharit ishin Tolai, Puahu, Jashubi e Shimroni, pra katër. Bijtë e Tolait, Uziu, Refajahu, Jerieli, Jahmai, Ibsami e Samueli, krerët e fiseve të Tolait, burrat trima të breznisë së vet. Në kohën e Davidit ata ishin njëzet e dy mijë e gjashtëqind veta. Bijtë e Uziut ishin Izrahjahu. Bijtë e Izrahjahut, Mikaeli, Abdia, Joeli e Ishjahu. Gjithsej pesë krerë, që kishin me vete, sipas breznive të fiseve përkatëse, tridhjetë e gjashtë mijë luftëtarë, sepse kishin shumë gra e fëmijë. Vëllezërit e tyre, sipas të gjitha familjeve të Isaharit e sipas regjistrimit të përgjithshëm, ishin tetëdhjetë e shtatë mijë burra trima. Bijtë e Benjaminit ishin Belai, Bekeri e Jediaeli, pra tre. Bijtë e Belait, Ecboni, Uziu, Uzieli, Jerimoti e Iriu, pesë krerë fisesh, me njëzet e dy mijë e tridhjetë e katër burra trima të regjistruar. Bijtë e Bekerit, Zemirahu, Joashi, Eliezeri, Eljoenai, Omriu, Jeremoti, Abijahu, Anatoti dhe Alemeti. Të gjithë këta ishin bijtë e Bekerit. Regjistrimi i tyre sipas breznive të krerëve të fiseve përfshin njëzet e dy mijë e dyqind burra trima. Bijtë e Jediaelit ishin Bilhani. Bijtë e Bilhanit, Jeushi, Benjamini, Ehudi, Kenanahu, Zetani, Tarshishi e Ahishahari. Të gjithë këta ishin bijtë e Jediaelit, sipas krerëve të fiseve, shtatëmblëdhjetë mijë e dyqind veta të aftë për luftë e betejë. Shupimi e Hupimi ishin bijtë e Irit, ndërsa Hushimi ishte biri i Aherit. Bijtë e Neftaliut ishin Jahcieli, Guniu, Jeceri e Shalumi, pasardhës të Bilhahut. Bijtë e Manaseut ishin Asrieli, lindur nga shemra e tij aramease, që lindi edhe Makirin, atin e Gileadit. Makiri mori grua për Hupimin e Shupimin. Motra e tij quhej Maka. Emri i të dytit ishte Celofehad. Edhe Celofehadi pati bija. Maka, gruaja e Makirit, lindi një djalë e ia vuri emrin Peresh. Vëllai i tij quhej Sheresh. Ai pati për bij Ulamin e Rekemin. Bijtë e Ulamit Bedani. Këta ishin bijtë e Gileadit, të birit të Makirit, të birit të Manaseut. Motra e tij, Hamoleketa, lindi Ishhodin, Abiezerin e Mahlahun. Bijtë e Shemidait ishin Ahiani, Shekemi, Likniu e Aniami. Bijtë e Efraimit ishin Shutelahu, që pati për bir Beredin, që pati për bir Tahatin, që pati për bir Eleadahun, që pati për bir Tahatin, që pati për bij Zabadin, Ezerin dhe Eleadin, të cilët i vranë njerëzit e Gatit, se kishin ardhur për t'u rrëmbyer bagëtinë. Efraimi, ati i tyre, i vajtoi për shumë ditë dhe vëllezërit e tij erdhën për ta ngushëlluar. Ai fjeti me gruan e vet, e cila mbeti shtatzënë e lindi djalë. Ia vuri emrin Berjah, sepse shtëpisë së tij i kishte rënë gjëma. Bija e tij ishte Sheraja. Ajo ndërtoi Bet Horonin e Poshtëm e të Epërm, si edhe Uzen Sherahun. Ai pati për bir edhe Refahun, që pati për bir Reshefin, që pati për bir Telahun, që pati për bir Tahanin, që pati për bir Ladanin, që pati për bir Amihudin, që pati për bir Elishamain, që pati për bir Nunin, që pati për bir Jozuehun. Prona e vendbanimi i tyre ishin Beteli me rrethina, Narani në lindje, në perëndim Gezeri me rrethina, Shekemi me rrethina, deri në Ajah, me rrethinat e tij. Bijve të Manaseut i përkisnin Bet Sheani me rrethina, Tanaku me rrethina, Megidoja me rrethina e Dori me rrethina. Në to banonin bijtë e Jozefit, të birit të Izraelit. Bijtë e Asherit ishin Imnahu, Ishvahu, Ishviu, Berjahu dhe motra e tyre Seraja. Bijtë e Berjahut, Heberi e Malkieli, i ati i Birzaitit. Heberit i lindën Jafleti, Shomeri, Hotami dhe motra e tyre, Shuaja. Bijtë e Jafletit, Pasahu, Bimhali e Ashvati. Këta qenë bijtë e Jafletit. Bijtë e Shemerit, vëllait të tij, Rohgahu, Jehubahu e Arami. Bijtë e Helemit, vëllait të tij, Cofahu, Imnai, Sheleshi dhe Amali. Bijtë e Cofahut, Suahu, Harneferi, Shuali, Beriu, Imrahu, Beceri, Hodi, Shamai, Shilshahu, Itrani e Berau. Bijtë e Jeterit, Jefunehu, Pispahu e Aradi. Bijtë e Ulait, Arahu, Hanieli dhe Ricjai. Të gjithë këta ishin bijtë e Asherit, krerët e zgjedhur të fiseve të veta, burra trima, krerët e prijësve. Numri i të regjistruarve për ushtri e luftë ishte njëzet e gjashtë mijë burra. Benjaminit i lindi Belai, i parëlinduri, Ashbeli, i dyti, Ahrahu, i treti, Nohahu, i katërti e Rafai, i pesti. Belai pati për bij Adarin, Gerain, Abihudin, Abishuain, Namanin, Ahoahun, Gerain, Shefufanin e Huramin. Bijtë e Ehudit, krerët e fiseve të banorëve të Gebës, që u dëbuan në Manahat, ishin këta: Namani, Ahijahu e Gerai, që u shpërngul e lindi Uzain e Ahihudin. Shaharaimit i lindën fëmijë në trojet e Moabit, pasi kishte dëbuar Hushimën e Baranë, gratë e veta. Nga gruaja e vet, Hodesha, i lindën Jobabi, Cibjai, Meshai, Malkami, Jeuci, Sakiahu e Mirmahu. Këta ishin bijtë e tij, krerët e fiseve. Nga Hushima i lindën Abitubi dhe Elpali. Bijtë e Elpalit ishin Eberi, Mishami e Shemedi, i cili ndërtoi Ononë e Lodin me rrethina, Berjahu e Shemai, krerë të fiseve të banorëve të Ajalonit, që u dhanë arratinë banorëve të Gatit, Ahijoi, Shashaku e Jeremoti. Zebadjahu, Aradi, Ederi, Mikaeli, Ishpahu e Johai ishin bijtë e Berjahut. Zebadjahu, Meshulami, Hizkiu, Heberi, Ishmerai, Izlijahu e Jobabi ishin bijtë e Elpalit. Jakimi, Zikriu, Zabdiu, Elienai, Ciletai, Elieli, Adajahu, Berajahu e Shimrati ishin bijtë e Shimeit. Ishpani, Eberi, Elieli, Abdoni, Zikriu, Hanani, Hananiahu, Elami, Antotjahu, Ifdejahu e Penueli ishin bijtë e Shashakut. Shamsherai, Sheharjahu, Ataljahu, Jareshjahu, Elia e Zikriu ishin bijtë e Jerohamit. Këta qenë krerët e fiseve sipas breznive. Këta krerë banonin në Jerusalem. Në Gibeon banonte i ati i Gibeonit dhe gruaja e tij që quhej Maka. Biri i tij i parëlindur ishte Abdoni, pastaj Curi, Kishi, Baali, Nadabi, Gedori, Ahijoi e Zekeri. Miklotit i lindi Shimeahu. Edhe këta, sikurse të vëllezërit, banonin në Jerusalem me vëllezërit e vet. Nerit i lindi Kishi, Kishit i lindi Sauli, Saulit i lindi Jonatani, Malkishuai, Abinadabi dhe Eshbaali. Jonatani pati për bir Merib Baalin dhe Merib Baalit i lindi Mikahu. Bijtë e Mikahut ishin Pitoni, Meleku, Tareai e Ahazi. Ahazit i lindi Jehoadahu, Jehoadahut i lindi Alemeti, Azmaveti e Zimriu. Zimriut i lindi Mocai. Mocait i lindi Bineai, që pati për bir Rafahun, që pati për bir Eleasahun, që pati për bir Acelin. Aceli pati gjashtë bij. Emrat e tyre janë këta: Azrikami, Bokerui, Ishmaeli, Shearjahu, Abdia e Hanani. Të gjithë këta ishin bijtë e Acelit. Bijtë e Eshekut, vëllait të tij, Ulami, i parëlinduri, Jeushi, i dyti, Elifeleti, i treti. Bijtë e Ulamit ishin burra të fortë, trima e harkëtarë. Ata kishin shumë fëmijë e nipa, njëqind e pesëdhjetë. Të gjithë këta ishin bijtë e Benjaminit. Gjithë Izraeli u regjistrua e u shkrua në librin e Mbretërve të Izraelit e të Judës. Ata qenë shpërngulur në Babiloni për shkak të pabesisë së tyre. Banorët e parë që u kthyen në pronat e veta nëpër qytete ishin izraelitët, priftërinjtë, levitët e shërbestarët. Në Jerusalem u vendosën disa prej bijve të Judës, të Benjaminit, të Efraimit e të Manaseut, Utai, biri i Amihudit, të birit të Omriut, të birit të Imriut, të birit të Baniut; prej bijve të Perecit, të birit të Judës; prej shilonitëve ishin Asajahu, i parëlinduri, dhe bijtë e tij; prej bijve të Zerahut, Jejeli e vëllezërit e tyre, gjashtëqind e nëntëdhjetë vetë; prej bijve të Benjaminit, Salui, biri i Meshulamit, të birit të Hodavjahut, të birit të Hasenuahut, Ibniahu, biri i Jerohamit, Elahu, biri i Uziut, të birit të Mikriut dhe Meshulami, biri i Shefatjahut, të birit të Reuelit, të birit të Ibniahut. Vëllezërit e tyre, sipas breznive, ishin nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë. Të gjithë ishin krerë fisesh, sipas fiseve. Prej priftërinjve ishin Jedajahu, Jehojaribi, Jakini, e Azarjahu, biri i Hilkiahut, të birit të Meshulamit, të birit të Cadokut, të birit të Merajotit, të birit të Ahitubit, kryetarit të tempullit të Perëndisë. Adajahu, biri i Jerohamit, të birit të Pashhurit, të birit të Malkjahut, e Masai, biri i Adielit, të birit të Jahzerahut, të birit të Meshulamit, të birit të Meshilemotit, të birit të Imerit. Vëllezërit e tyre, krerët e fiseve të veta, një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë burra trima, të aftë për të punuar në shërbim të tempullit të Perëndisë. Prej levitëve ishin Shemajahu, biri i Hashubit, të birit të Azrikamit, të birit të Hashabiahut, prej bijve të Merarit. Bakbahari, Hereshi, Galali e Matanjahu, biri i Mikait, të birit të Zikriut, të birit të Asafit. Abdia, biri i Shemajahut, të birit të Galalit, të birit të Jedutunit, dhe Berekjahu, biri i Asait, të birit të Elkanahut, që banonte në fshatrat e netofatitëve. Prej derëtarëve ishin Shalumi, Akubi, Talmoni, Ahimani e vëllezërit e tyre. Shalumi ishte kryetari e është gjer më sot te Porta e Mbretit, në lindje. Këta ishin derëtarët e fushimeve të bijve të Levit. Shalumi, biri i Koreut, të birit të Ebiasafit, të birit të Korahut, dhe vëllezërit e fisit të vet, korahitët, merreshin me punët e shërbesës e ruanin pragun e tendës. Etërit e tyre ishin rojtarët e hyrjes në fushimin e Zotit. Dikur kishin pasur për udhëheqës Finehasin, birin e Eleazarit. Zoti kishte qenë me të. Zakaria, biri i Meshelemjahut, ishte rojtari i hyrjes së tendës së takimit. Të gjithë këta, rojtarët e zgjedhur të pragut, ishin dyqind e dymbëdhjetë, të regjistruar në fshatrat e veta. Davidi e Samuel Vegimtari i kishin caktuar për shkak të besnikërisë së tyre. Këta e bijtë e tyre ishin përgjegjës për portat e tempullit të Zotit, për ngrehinën e tendës, si roja. Rojtarët ishin në të katër anët, në lindje, në perëndim, në veri e në jug. Vëllezërit e tyre, që banonin nëpër fshatra, duhej të vinin tek ata herë pas here për shtatë ditë. Katër rojtarëve kryesorë, që ishin levitë, u kishin besuar dhomat e thesaret e tempullit të Perëndisë. Ata e kalonin natën rreth tempullit të Perëndisë, sepse duhej ta ruanin e ta hapnin çdo mëngjes. Disa prej tyre kujdeseshin për pajisjet e shërbesës, sepse i numëronin kur i fusnin brenda e kur i nxirrnin; disa prej tyre merreshin me pajisjet, me të gjitha enët e shenjtërores, me majën e miellit, me verën, me vajin, me temjanin dhe me erëzat; disa nga bijtë e priftërinjve përzienin erëzat. Njërit prej levitëve, Matitjahut, të parëlindurit të Shalum Korahitit, iu besua pjekja e petëve; disa prej bijve të kohatitëve, disa prej vëllezërve të tyre, kujdeseshin për të përgatitur çdo të shtunë bukën e paraqitjes. Këta ishin këngëtarët, krerët e fiseve levite, që jetonin të lirë në dhomat e veta, sepse duhej të kryenin ditë e natë punën e vet. Këta ishin krerët e fiseve të levitëve sipas breznive dhe banonin në Jerusalem. Në Gibeon banonin i ati i Gibeonit, Jejeli, gruaja e të cilit quhet Maka, i parëlinduri i të cilit ishte Abdoni, pastaj Curi, Kishi, Baali, Neri, Nadabi, Gedori, Ahijoi, Zakaria e Mikloti. Miklotit i lindi Shimeami. Edhe ata, si vëllezërit e tyre, banonin në Jerusalem me vëllezërit e vet. Nerit i lindi Kishi, Kishit i lindi Sauli, Saulit i lindi Jonatani, Malkishuai, Abinadabi dhe Eshbaali. Jonatani pati për bir Merib Baalin. Merib Baalit i lindi Mikahu. Bijtë e Mikahut ishin Pitoni, Meleku e Tahreai. Ahazit i lindi Jarahu, Jarahut i lindi Alemeti, Azmaveti e Zimriu. Zimriut i lindi Mocai. Mocait i lindi Bineai, që pati për bir Refajahun, që pati për bir Eleasahun, që pati për bir Acelin. Aceli pati shtatë bij dhe emrat e tyre janë këta: Azrikami, Bokerui, Ishmaeli, Shearjahu, Abdia e Hanani. Këta ishin bijtë e Acelit. Filistinët e sulmuan Izraelin. Izraelitët ikën prej filistinëve, por mbetën të vrarë në malin Gilboa. Filistinët e ndoqën këmba-këmbës Saulin me të bijtë dhe vranë Jonatanin, Abinadabin e Malkishuain, bijtë e Saulit. Beteja kundër Saulit u bë e ashpër. Harkëtarët e vunë në shënjestër e ai u plagos nga harkëtarët. Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: «Nxirre shpatën e më shporo, që të mos vijnë këta të parrethprerë e të tallen me mua». Por armëmbajtësi nuk pranoi, se pati shumë frikë, prandaj Sauli e mori vetë shpatën e u hodh mbi të. Kur armëmbajtësi pa se Sauli kishte vdekur, u hodh edhe ai mbi shpatë e vdiq. Kështu vdiq Sauli. Vdiq ai vetë, me tre bijtë e me shtëpinë e vet. Kur izraelitët, që ishin në luginë, panë se ata kishin ikur dhe se Sauli me bijtë e vet kishin vdekur, i braktisën qytetet e veta e morën arratinë. Atëherë filistinët erdhën e u vendosën aty. Të nesërmen, kur filistinët erdhën të zhvatnin kufomat e të vrarëve, gjetën Saulin e bijtë e tij që kishin rënë në malin Gilboa. E plaçkitën, i morën kokën dhe armët dhe i dërguan në tokën e filistinëve, për t'u dhënë lajmin idhujve e popullit përreth. Armët i vunë në tempullin e perëndive të tyre, ndërsa kafkën ia varën në tempullin e Dagonit. Kur të gjithë banorët e Jabesh Gileadit dëgjuan gjithçka i kishin bërë filistinët Saulit, të gjithë luftëtarët u ngritën e morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij e i sollën në Jabesh. Ua varrosën eshtrat nën qarrin e Jabeshit dhe agjëruan shtatë ditë. Sauli vdiq për shkak të pabesisë së vet, se nuk i qëndroi besnik Zotit dhe nuk e zbatoi urdhrin e Zotit, por u këshillua me ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Nuk u këshillua me Zotin, prandaj ai e vrau dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Jeseut. Të gjithë izraelitët u mblodhën te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote e mishi yt. Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret, ti i prije Izraelit. Zoti, Perëndia yt, të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i popullit tim, Izraelit”». Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe Davidi bëri besëlidhje me ta në Hebron, para Zotit. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin, siç kishte thënë Zoti, me anë të Samuelit. Davidi shkoi me mbarë Izraelin në Jerusalem, domethënë në Jebus, sepse në atë tokë banonin jebusitët. Banorët e Jebusit i thanë Davidit: «Ti nuk do të hysh këtu», por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit, domethënë qytetin e Davidit. Davidi kishte thënë: «Kush i godet i pari jebusitët, do të bëhet kryetar e prijës». Atëherë Joabi, biri i Cerujahut, ishte ngjitur i pari e ishte bërë kryetar. Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj e quajnë Qyteti i Davidit. Ai e rindërtoi qytetin nga Miloja përreth, ndërsa Joabi ndërtoi pjesën tjetër të qytetit. Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Zoti i ushtrive ishte me të. Këta janë krerët e trimave të Davidit, që u forcuan bashkë me të, me mbretërinë e tij e me mbarë Izraelin dhe që e bënë mbret mbi Izraelin, sipas urdhrit të Zotit. Emrat e trimave të Davidit janë këta: Jashobeami, biri i Hakmoniut, kryetar i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve e i vrau njëherësh. Pas tij vjen Eleazari, biri i Dodo Ahohitit, njëri ndër tre trimat. Ai ishte me Davidin në Pas Damim, kur filistinët u mblodhën aty për betejë. Aty gjendej një arë plot me elb, ku njerëzia mori arratinë prej filistinëve. Atëherë zuri vend në mes të arës dhe e mbrojti. I goditi filistinët dhe Zoti i shpëtoi në mënyrë të madhërishme. Tre prej tridhjetë kryetarëve zbritën te shkëmbi, pranë Davidit, te shpella e Adulamit. Fushimi i filistinëve ishte vendosur në luginën e Refaitëve. Në atë kohë Davidi gjendej në fortesë, ndërsa çeta e filistinëve ishte në Betlehem. Davidi shprehu një dëshirë: «Kush mund të më japë të pi nga pusi që është te porta e Betlehemit?». Këta të tre çanë fushimin e filistinëve dhe nxorën ujë nga pusi që ishte te porta e Betlehemit. E morën dhe ia sollën Davidit për ta pirë, por ai nuk deshi ta pinte dhe e stërpiku për Zotin. Pastaj tha: «Larg qoftë ta bëj këtë gjë para Perëndisë! A duhet ta pi gjakun e jetës së këtyre burrave? Ata vunë në rrezik jetën për ta sjellë». Prandaj nuk pranoi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima. Abishai, vëllai i Joabit, ishte kryetari i tridhjetë vetëve. Ai e vringëlloi heshtën kundër treqind vetëve, i vrau e bëri emër bashkë me këta të tre. Ai ishte më i njohuri ndër të tre dhe u bë prijësi i tyre, megjithatë nuk i arriti dot. Benajahu, biri i Jehojadait, burrë i guximshëm e punëmadh, ishte nga Kabceli. Ai vrau dy njerëz të Ariel Moabit. Pastaj, një ditë me borë, zbriti në një pus e vrau një luan. Ai vrau edhe një egjiptian, një burrë shtatmadh, pesë kutesh, i cili mbante në dorë një heshtë sa një bosht tezgjahu. Iu sul me një shkop, ia hoqi heshtën nga dora dhe e vrau me heshtën e vet. Këto gjëra bëri Benajahu, biri i Jehojadait, dhe bëri emër ndër këta të tre. U bë i lavdishëm bashkë me ata të tre, megjithatë nuk i arriti dot. Davidi e vuri në krye të truprojës së vet. Trimat guximtarë ishin Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, biri i Dodoit, nga Betlehemi, Shamot Haroriti, Halec Peloniti, Irai, biri i Ikesh Tekoitit, Abiezer Anatotiti, Sibeka Hushatiti, Ila Ahohiti, Mahara Netofatiti, Heledi, biri i Banah Netofatitit, Itai, biri i Ribait nga Gibeahu, prej bijve të Benjaminit, Benajah Piratoniti, Hurai nga Vau i Gashit, Abiel Arbatiti, Azmavet Baharumiti, Eliakba Shalboniti, bijtë e Hashem Gizonitit, Jonatani, biri i Shageh Hararitit, Ahiami, biri i Sahar Hararitit, Elifali, biri i Urit, Hefer Meheratiti, Ahijah Peloniti, Hecro Karmeliti, Narai, biri i Ezbait, Joeli, vëllai i Natanit, Mibhari, biri i Hagriut, Celek Amoniti, Nahra Berotiti, armëmbajtësi i Joabit, të birit të Cerujahut, Ira Hitriti, Gareb Hitriti, Urjah Hititi, Zabadi, biri i Ahlait, Adinai, biri i Shiza Rubenitit, kryetar i tridhjetë rubenitëve, Hanani, biri i Makahut, Joshafat Mitniti, Uzia Ashteratiti, Shamai e Jejeli, të bijtë e Hotam Aroeritit, Jediaeli, biri i Shimriut, dhe Joha Ticiti, vëllai i tij, Eliel Mahaviti me Jeribain e Joshaviahun, të bijtë e Elnamit, Itmah Moabiti, Elieli, Obedi e Jasiel Mecobaiti. Këta janë burrat që erdhën te Davidi në Ciklag, kur ai ishte ende duke ikur nga Sauli, biri i Kishit. Këta ishin trimat, që e ndihmuan në luftë, harkëtarë, shigjetarë e gurëgjuajtës me të dyja duart. Prej vëllezërve të Saulit, nga Benjamini, ishin kryetari, Ahiezeri, pastaj Joashi, bijtë e Shemah Gibeatitit; Jezueli e Peleti, bijtë e Azmavetit; Barakahu e Jehu Anatotiti, Ishmajah Gibeoniti, njëri nga tridhjetë trimat e mbi të tridhjetët. Jeremia, Jahazieli, Johanani e Jozabad Gederatitit, Eleuzai, Jerimoti, Bealjahu, Shemarjahu, Shefatjah Harufiti, Elkanahu, Ishjahu, Azareli, Joezeri, Jashobeami nga Korahitët, Joelahu e Zebadjahu, bijtë e Jerohamit nga Gedori. Disa prej gaditëve u bashkuan me Davidin në strehimin e shkretëtirës. Ishin burra të fortë e ushtarë luftarakë, përdorues të shqytit e të heshtës, me pamje luani e të shkathët si sorkadhet e bjeshkëve. Kryetari ishte Ezeri, i dyti Abdia, i treti Eliabi, i katërti Mishmanahu, i pesti Jeremia, i gjashti Ataji, i shtati Elieli, i teti Johanani, i nënti Elzabadi, i dhjeti Jeremia, i njëmbëdhjeti Makbanai. Këta ishin prej bijve të Gadit, prijësit ushtarak. Më i vogli prijës për njëqind vetë e më i madhi për një mijë. Këta e kaluan Jordanin në muajin e parë, kur fryhej e dilte nga brigjet gjithandej, dhe i dëbuan të gjithë banorët e luginës, në lindje e në perëndim. Disa prej bijve të Benjaminit e të Judës shkuan deri te fortesa e Davidit. Davidi u doli para, iu përgjigj e tha: «Nëse keni ardhur tek unë paqësisht, për të më ndihmuar, jam i gatshëm të bashkohem me ju me gjithë zemër, por nëse më dorëzoni te kundërshtarët, edhe pse duart e mia nuk kanë ushtruar dhunë, paftë e gjykoftë Perëndia i etërve tanë!». Atëherë një shpirt e mbështolli Amasain, kreun e të tridhjetëve: «Ne jemi të tutë, David, e me ty, o biri i Jeseut. Paqe, paqe me ty e paqe me ata që të ndihmojnë, sepse të ndihmon Perëndia yt». Atëherë Davidi i mori e i caktoi krerë të trupave. Disa nga bijtë e Manaseut u bënë me Davidin, kur mbërriti me filistinët në betejën kundër Saulit, por ata nuk i ndihmuan filistinët, ngaqë prijësit e filistinëve u këshilluan dhe e dëbuan, sepse thoshin: «E paguajmë me kokë. Ai do të bëhet me zotërinë e vet, Saulin». Kur po shkonte në Ciklag, u bënë me të bijtë e Manaseut, që ishin Adnahu, Jozabadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihui e Ciletai, kryetari i një mijë manasenjve. Ata e ndihmuan Davidin dhe trupat e tij, sepse ishin të gjithë trima të fortë e u bënë prijës ushtarakë. Ditë për ditë vinin te Davidi për ta ndihmuar, derisa fushimi u bë i madh, si fushimi i Perëndisë. Këta janë numrat e krerëve të armatosur, që erdhën te Davidi në Hebron, për t'ia dhënë atij mbretërinë e Saulit, siç e kishte thënë Zoti. Bijtë e Judës, mbartës të shqytit e të heshtës, ishin gjashtë mijë e tetëqind të armatosur; prej bijve të Simeonit, trima të fortë për luftë, shtatë mijë e njëqind; prej bijve të Levit, katër mijë e gjashtëqind; pastaj prijësi Jehojada prej shtëpisë së Aronit me tre mijë e shtatëqind; Cadoku, djalosh trim e i fortë, me njëzet e dy prijës prej fisit të vet; prej bijve të Benjaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë, sepse shumica e tyre kishte mbetur në shërbim të Saulit; prej bijve të Efraimit, njëzet mijë e tetëqind trima të fortë, burra në zë për fiset e tyre; nga gjysma e fisit të Manaseut, tetëmbëdhjetë mijë, të cilët u caktuan me emër, që të vinin për ta shpallur Davidin mbret; prej bijve të Isaharit, që i njihnin mirë kohërat dhe e dinin çfarë duhej të bënte Izraeli, dyqind krerë me të gjithë vëllezërit që kishin nën urdhra; nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë luftëtarë të përgatitur për betejë me të gjitha armët ushtarake, të gatshëm për të ndihmuar pa mëdyshje; nga Neftaliu, një mijë prijës me tridhjetë mijë shqytarë e heshtarë; nga danitët, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind, të gatshëm për luftë; nga Asheri, dyzet mijë luftëtarë të përgatitur për betejë. Nga matanë Jordanit, prej rubenitëve, prej gaditëve e prej gjysmës së fisit të Manaseut, njëqind e njëzet mijë me të gjitha armatimet për luftë. Të gjithë këta, burra luftarakë, të gatshëm për betejë, shkuan në Hebron me mendje të mbushur për ta shpallur Davidin mbret mbi mbarë Izraelin. Edhe të gjithë izraelitët e tjerë ishin në një mendje për ta shpallur Davidin mbret. Ata ndenjën me Davidin tri ditë, duke ngrënë e duke pirë çfarë u kishin përgatitur vëllezërit. Edhe të afërmit e tyre nga Isahari, Zabuloni e Neftaliu erdhën e sollën ushqim me gomarë, me deve, me mushka e me qe. Sollën miell, kuleç me fiq, rrush të thatë, verë, vaj, qe e dele, sepse pati gëzim në Izrael. Davidi u këshillua me prijësit e të njëmijëve, të njëqindëve e me secilin udhëheqës. Atëherë Davidi i tha mbarë bashkësisë së Izraelit: «Nëse ju duket gjë e mirë e nëse vjen prej Zotit, Perëndisë tonë, le të shpërndajmë e të dërgojmë lajmëtarë te vëllezërit tanë të mbetur në të gjitha trojet e Izraelit, si edhe te priftërinjtë e te levitët, që gjenden në qytetet me kullota, që të mblidhen te ne. Le ta kthejmë te ne arkën e Perëndisë tonë, sepse nuk e kërkuam në kohën e Saulit». Mbarë bashkësia pranoi të veprohej ashtu, sepse mbarë popullit iu duk e drejtë. Davidi mblodhi mbarë Izraelin, nga Nili i Egjiptit deri në Lebo Hamat, për ta sjellë arkën e Perëndisë nga Kirjat Jearimi. Davidi e mbarë Izraeli u ngjitën në Baalah, domethënë në Kirjat Jearim të Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë që quhet Zoti ulur mbi kerubë. Ata e mbartën arkën e Perëndisë në një karrocë të re nga shtëpia e Abinadabit. Karrocën e ngisnin Uzai e Ahioi. Davidi e mbarë Izraeli ngazëlleheshin fort para Perëndisë, me këngë, qeste, harpa, dajre, cimbale e bori. Kur arritën te lëmi i Kidonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën, sepse qetë gati u rrëzuan. Mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i Perëndisë dhe e goditi, sepse kishte vënë dorë në arkë. Prandaj vdiq në vend para Perëndisë. Davidi u zemërua pse Zoti e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah. Ai vend quhet Perec Uzah edhe sot e kësaj dite. Atë ditë Davidi e pati frikë Perëndinë e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e Perëndisë?». Prandaj nuk e mori me vete arkën në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Arka e Perëndisë ndenji tre muaj me shtëpinë e Obed Edomit, në shtëpinë e tij. Zoti e bekoi shtëpinë e Obed Edomit me gjithçka kishte. Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, muratorë e marangozë, për t'i ndërtuar shtëpinë. Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte caktuar mbret të Izraelit dhe se mbretëria e tij ishte lartësuar për hir të popullit të tij, Izraelit. Davidi mori të tjera gra në Jerusalem e lindi bij e bija të tjera. Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani, Solomoni, Ibhari, Elishuai, Elifeleti, Nogahu, Nefegu, Jafiai, Elishamai, Beeliadai dhe Elifeleti. Kur filistinët e morën vesh se Davidi ishte vajosur mbret mbi mbarë Izraelin, të gjithë shkuan për ta kërkuar Davidin. Davidi e mori vesh e u doli para. Filistinët mbërritën dhe zaptuan luginën e Refaimit. Davidi u këshillua me Perëndinë e tha: «A duhet të dal kundër filistinëve? A do të m'i lësh në dorë?». Zoti iu përgjigj: «Dil e do të t'i lë në dorë». Ata u ngjitën në Baal Peracim dhe Davidi i mundi aty. Davidi tha: «Perëndia i çau armiqtë e mi me dorën time, siç çahet uji». Prandaj ai vend quhet Baal Peracim. Ata i lanë aty idhujt e tyre, por Davidi urdhëroi të digjeshin në zjarr. Atëherë filistinët e mësynë përsëri luginën. Davidi u këshillua sërish me Perëndinë dhe Perëndia i tha: «Mos shko pas tyre. Sillu rrotull e dilu para nga Bekaimi. Kur të dëgjosh zhurmën e rreshtores në majat e Bekaimit, dil në betejë, sepse Perëndia do të dalë para teje, për ta goditur fushimin e filistinëve». Davidi bëri siç e urdhëroi Perëndia dhe e shpartalluan fushimin e filistinëve nga Gibeoni në Gezer. Emri i Davidit mori dhenë dhe Zoti i bëri të gjithë popujt t'ia kishin frikën. Davidi ndërtoi për vete një shtëpi në Qytetin e Davidit, përgatiti vendin për arkën e Perëndisë dhe nguli për të një tendë. Atëherë Davidi tha: «Askush përveç levitëve nuk mund ta mbartë arkën e Perëndisë, sepse Zoti zgjodhi ata për të bartur arkën e Zotit e për t'i shërbyer atij përgjithmonë». Davidi e mblodhi mbarë Izraelin në Jerusalem, për të ngjitur arkën e Zotit në vendin që kishte përgatitur për të. Ai mblodhi bijtë e Aronit dhe levitët. Prej bijve të Kohatit ishin prijësi Uriel me njëqind e njëzet vëllezër; prej bijve të Merarit, prijësi Asajah me dyqind e njëzet vëllezër; prej bijve të Gershomit, prijësi Joel me njëqind e tridhjetë vëllezër; prej bijve të Elicafanit, prijësi Shemajah me dyqind vëllezër; prej bijve të Hebronit, prijësi Eliel me tetëdhjetë vëllezër; dhe prej bijve të Uzielit, prijësi Aminadab me njëqind e dymbëdhjetë vëllezër. Davidi thirri priftërinjtë Cadok e Abiatar, si edhe levitët Uriel, Asajah, Joel, Shemajah, Eliel e Aminadab, të cilëve u tha: «Ju jeni krerët e fiseve levite. Shenjtërohuni ju vetë e vëllezërit tuaj, që të ngrini arkën e Zotit, Perëndisë së Izraelit, në vendin që unë përgatita për të. Meqë në fillim nuk e mbartët ju, Zoti, Perëndia ynë, u zemërua me ne, sepse nuk iu drejtuam sipas rregullores». Atëherë priftërinjtë dhe levitët u shenjtëruan për të ngritur arkën e Zotit, Perëndisë së Izraelit. Bijtë e Levit e bartën me shkopinj mbi supe arkën e Perëndisë, siç i kishte urdhëruar Moisiu, sipas porosisë së Zotit. Davidi i urdhëroi prijësit e levitëve t'i caktonin vëllezërit e vet këngëtarë me vegla muzikore, me lira, harpa e cimbale, që të jehonin tingujt e haresë. Levitët caktuan Hemanin, birin e Joelit dhe, prej vëllezërve të tij, Asafin, birin e Berekjahut dhe, prej bijve të Merarit, vëllezërit e tyre, Etanin e Kushajahun. Me ta ishin edhe kushërinjtë e dytë, Zakaria, biri i Jazielit, Shemiramoti, Jehieli, Uniu, Eliabi, Benajahu, Masejahu, Matitjahu, Elifelehu, Miknejahu dhe derëtarët Obed Edomi e Jejeli. Këngëtarët, Hemani, Asafi dhe Etani duhej t'u binin cimbaleve të bronztë. Zakaria, Azieli, Shemiramoti, Jehieli, Uniu, Eliabi, Masejahu e Benajahu duhej t'u binin lirave në melodinë e virgjëreshave. Matitjahu, Elifelehu, Miknejahu, Obed Edomi, Jejeli e Azazjahu duhej t'u prinin harpave me tetë korda. Kenanjahu, prijësi i levitëve në muzikë, duhej të drejtonte muzikën, sepse e njihte mirë. Berakjahu dhe Elkanahu ishin derëtarët e arkës. Shebanjahu, Joshafati, Netaneli, Amasai, Zakaria, Benajahu dhe Eliezeri, priftërinj, duhej t'u binin borive para arkës së Perëndisë. Obed Edomi e Jehijahu ishin derëtarë të arkës. Davidi, pleqtë e Izraelit e krerët e të njëmijëve shkuan për ta ngritur me gëzim arkën e besëlidhjes së Zotit nga shtëpia e Obed Edomit. Meqë Perëndia i ndihmoi levitët që bartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, u flijuan shtatë mëzetër e shtatë desh. Davidi ishte mbështjellë me një gunë liri të hollë, si gjithë levitët që bartnin arkën, si edhe këngëtarët dhe Kenanjahu, i cili u printe këngëtarëve bartës. Davidi kishte edhe një efod të linjtë. Mbarë Izraeli e ngriti arkën e besëlidhjes së Zotit me brohoritje, me tingujt e bririt, të borive e të cimbaleve, duke u rënë lirave e harpave. Kur arka e besëlidhjes së Zotit mbërriti në qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e duke ngazëlluar dhe e përçmoi në zemrën e vet. E sollën arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi para Perëndisë. Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit e të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit dhe u shpërndau të gjithë izraelitëve, burra e gra, nga një rrotull buke, nga një kulaç hurmash e nga një kulaç rrushi të thatë. Pastaj disa nga levitët i caktoi të shërbenin pranë arkës së Zotit, që të përkujtonin, të falënderonin e të lëvdonin Zotin, Perëndinë e Izraelit. Kryetari ishte Asafi e pas tij vinin Zakaria, Jejeli, Shemiramoti, Jehieli, Matitjahu, Eliabi, Benajahu, Obed Edomi e Jejeli, të cilët u binin lirave e harpave, ndërsa Asafi u binte cimbaleve. Priftërinjtë Benajah e Jahaziel u binin borive përherë para arkës së besëlidhjes së Perëndisë. Atë ditë Davidi caktoi së pari që Asafi e vëllezërit e tij t'i thurnin Zotit këto falënderime: Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij, shpallni mes popujve veprat e tij. Këndojini atij e thurini lavde, kumtoni të gjitha mrekullitë e tij. Krenohuni me emrin e tij të shenjtë, e zemra i ngazëlleftë kujtdo që kërkon Zotin. Kërkojeni Zotin e fuqinë e tij, kërkoni përherë fytyrën e tij. Kujtoni mrekullitë që bëri, çuditë e gjykimet e gojës së tij, o pasardhës të Izraelit, shërbëtorit të tij, bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij. Ai është Zoti, Perëndia ynë, mbi mbarë dheun vendimet e tij. Kujtojeni përherë besëlidhjen e tij, fjalën që urdhëroi për një mijë brezni, besëlidhjen që bëri me Abrahamin, premtimin që i dha Isakut. Ia caktoi si rregull Jakobit, Izraelit si besëlidhje përjetë, kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit si pjesë të trashëgimisë suaj», kur ishit të hequr në numër, të paktë e ardhacakë, tek endeshin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një tjetër popull. Nuk lejoi t'i shtypte askush, mbretërit për hir të tyre i qortoi: «Mos m'i prekni të vajosurit, profetët e mi mos i lëndoni». Le t'i këndojë Zotit dheu mbarë, shpëtimin e tij përditë kumtoni. Ndër kombe rrëfejeni lavdinë e tij, mrekullitë e tij ndër popuj mbarë, se i madh është Zoti e fort i lavdërueshëm, më i tmerrshëm se të gjithë perënditë. Se mbarë perënditë e popujve janë të kotë, por Zoti bëri qiejt. Shkëlqim e madhështi para tij, në vendin e tij fuqi e hare. Jepini Zotit, o familjet e popujve, jepini Zotit lavdi e fuqi, jepini Zotit lavdinë e emrit të tij! Kushtojini fli e dilni para tij, adhuroni Zotin veshur me shkëlqim. Le të dridhet para tij mbarë toka, se botës i vë themel e ajo nuk do të trandet. Le të ngazëllejë qielli e të gëzojë toka, le të thuhet ndër popuj: « Zoti mbretëron». Le të ushtojë deti me gjithçka në të, e fusha me gjithçka në të le të galdojë. Atëherë do të brohorasin pemët e pyllit para Zotit që vjen për ta gjykuar tokën. Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Thoni: «Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë, mblidhna e çlirona nga kombet, që ta falënderojmë emrin tënd të shenjtë, të mburremi duke të të lavdëruar. Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga mot e përgjithmonë!». Mbarë populli u përgjigj: «Amen» e «Lavdi Zotit». Davidi la Asafin e vëllezërit e tij aty, para arkës së besëlidhjes së Zotit, që të shërbenin gjithnjë para arkës, sipas rendit të përditshëm me Obed Edomin dhe gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij. Obed Edomin, birin e Jedutunit, e Hosahun, i caktoi derëtarë. Priftin Cadok e vëllezërit e tij priftërinj i la para tendës së Zotit, në rrafshnaltën e Gibeonit, që t'i kushtonin Zotit fli shkrumbimi në altarin e shkrumbimit pa pushim, mëngjes e mbrëmje, siç është shkruar në ligjin që Zoti i dha Izraelit. Me ta ishin Hemani e Jedutuni, si edhe të tjerët, që ishin zgjedhur e caktuar me emër për të falënderuar Zotin, se i amshuar është përdëllimi i tij. Hemani e Jedutuni kishin bori e cimbale për t'u rënë, si dhe vegla për muzikë hyjnore. Bijtë e Jedutunit ishin caktuar te dera. Atëherë mbarë populli u nis, secili në shtëpinë e vet, ndërsa Davidi u kthye për të bekuar familjen e vet. Kur Davidi u vendos në shtëpinë e tij, i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej cedri, ndërsa arka e besëlidhjes së Zotit gjendet nën pëlhura». Natani iu përgjigj Davidit: «Bëj ç'të kesh në zemër, se Perëndia është me ty». Po atë natë Natanit iu drejtua fjala e Perëndisë e i tha: «Shko e thuaji Davidit, shërbëtorit tim, kështu thotë Zoti: “Nuk do të ma ndërtosh ti shtëpinë ku do të banoj. Unë nuk kam banuar në një shtëpi që kur e ngrita Izraelin e deri në këtë ditë. Kam ndenjur nga një tendë në tjetrën, nga një banesë në tjetrën. Gjatë gjithë endjeve të mia me mbarë Izraelin, a mos i kam thënë ndonjë fjalë ndonjërit prej gjykatësve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të kullotnin popullin tim, duke i thënë: përse nuk më keni ndërtuar një shtëpi prej cedri? Mirëpo tani kështu do t'i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë Zoti i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit. Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës. Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më, si dikur, kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do t'i nënshtroj të gjithë armiqtë e tu. Dhe po të kumtoj se Zoti do të të ndërtojë ty një shtëpi. Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin tënd pas teje, njërin prej bijve të tu, e do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij. Ai do të më ndërtojë një shtëpi, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij. Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. Nuk do t'ia mohoj dashurinë time, siç ia mohova paraardhësit tënd. Do ta vë në shtëpinë time e në mbretërinë time përgjithmonë dhe froni i tij do të mbetet në amshim”». Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë e të gjithë këtë vegim. Atëherë mbreti David hyri brenda, u ul para Zotit e tha: «Kush jam unë, o Zot Perëndi, dhe çfarë është shtëpia ime, që më solle deri këtu? Por kjo ishte gjë e vogël në sytë e tu, o Perëndi. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Ti më sheh mua siç sheh njerëzit e rangjeve të larta, o Zot Perëndi. Çfarë mund të bëjë më shumë për ty Davidi, për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh mirë shërbëtorin tënd. O Zot, ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha për hir të shërbëtorit tënd e sipas zemrës sate, për të shfaqur të gjitha madhështitë. Nuk ka si ti, o Zot, dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët. Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti e bëre të njohur emrin tënd me gjërat e mëdha e të mahnitshme, sepse dëbove kombet para popullit tënd, të cilin e shpengove nga Egjipti. Ti e more popullin tënd Izraelin si popullin tënd përgjithmonë dhe ti, o Zot, u bëre Perëndia i tyre. Tani, o Zot, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole. Emri yt qëndroftë e u madhëroftë përgjithmonë kështu: “ Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është Perëndi për Izraelin” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje, sepse ti, Perëndia im, i dëftove shërbëtorit tënd se do t'i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt guxoi të lutej para teje. Ti, o Zot, je Perëndi dhe ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd. Tani, vendose ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti, o Zot, e bekove, prandaj është e bekuar përgjithmonë». Pas kësaj Davidi i mundi filistinët, i nënshtroi dhe mori Gatin me fshatra. Pastaj mundi Moabin dhe moabitët u bënë skllevër të Davidit, të cilit i jepnin tagrin. Davidi mundi edhe Hadadezerin, mbretin e Cobah Hamatit, kur ai po shkonte për të ngritur një përmendore për vete pranë lumit Eufrat dhe i mori një mijë karroca, shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi u theu kërcinjtë të gjithë kuajve, përveç atyre që iu deshën për njëqind karroca. Arameasit e Damaskut i erdhën në ndihmë Hadadezerit, mbretit të Cobahut, por Davidi vrau njëzet e dy mijë arameas. Pastaj Davidi vendosi një njësi në Aram të Damaskut. Arameasit iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte. Davidi mori parzmoret e arta të shërbëtorëve të Hadadezerit dhe i çoi në Jerusalem. Edhe nga Tibhati e nga Kuni, qytete të Hadadezerit, mori një sasi të madhe bronzi, me të cilin Solomoni bëri detin prej bronzi, shtyllat dhe enët e bronzta. Kur Toiu, mbreti i Hamatit, dëgjoi se Davidi e kishte mundur tërë ushtrinë e Hadadezerit, mbretit të Cobahut, dërgoi te Davidi birin e tij, Hadoramin, për ta përshëndetur e për ta bekuar, sepse i kishte shpallur luftë Hadadezerit dhe e kishte mundur. Hadadezeri ishte në luftë me Toiun. Ai i dërgoi edhe enë ari, argjendi e bronzi. Mbreti David ia kushtoi Zotit edhe ato, bashkë me argjendin e arin që kishte marrë prej të gjitha kombeve, prej edomitëve, moabitëve, amonitëve, filistinëve e amalekitëve. Abishai, biri i Cerujahut, shpartalloi tetëmbëdhjetë mijë edomitë në luginën e Kripës. Ai vendosi njësi në Edom dhe të gjithë edomitët iu nënshtruan Davidit. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte. Davidi mbretëroi mbi mbarë Izraelin dhe veproi drejt e me drejtësi me mbarë popullin e vet. Joabi, biri i Cerujahut, ishte në krye të ushtrisë. Joshafati, biri i Ahiludit, ishte shkresari. Cadoku, biri i Ahitubit, e Abimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj, ndërsa Shavshai ishte shkruesi. Benajahu, biri i Jehojadait, ishte kreu i keretitëve e peletitëve, ndërsa bijtë e Davidit ishin të parët përkrah mbretit. Pas këtyre ngjarjeve, Nahashi, mbreti i amonitëve, vdiq dhe në vend të tij mbretëroi i biri. Davidi tha: «Do të tregohem i mirë me Hanunin, birin e Nahashit, sepse i ati i tij u soll mirë me mua». Pastaj Davidi dërgoi disa përfaqësues për ta ngushëlluar për të atin dhe shërbëtorët e Davidit shkuan në dheun e amonitëve, te Hanuni, për ta ngushëlluar. Atëherë prijësit e amonitëve i thanë Hanunit: «Mos vallë Davidi t'i dërgoi ngushëlluesit për të nderuar atin tënd? Apo këta shërbëtorë të tij kanë ardhur te ti për të bërë hetime, për të shkaktuar përmbysje e për të përgjuar vendin?». Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, i rruajti, ua shqeu rrobat më dysh deri te vithet dhe i ktheu nga kishin ardhur. Kur i treguan Davidit për ta, ai dërgoi njerëz për t'i takuar, sepse ndiheshin shumë të poshtëruar. Mbreti u tha: «Rrini në Jeriko derisa t'ju dalë mjekra, pastaj kthehuni». Kur amonitët e panë se ishin bërë të urryer për Davidin, Hanuni dhe amonitët dërguan tridhjetë tonë argjend për të blerë karroca e kuaj nga Mesopotamia, nga Aram Makahu e nga Cobahu. Paguan për tridhjetë e dy mijë karroca dhe për mbretin e Makahut me trupat e veta. Këta erdhën e fushuan kundruall Medebës. Amonitët u mblodhën nga qytetet e tyre e dolën në luftë. Kur e mori vesh, Davidi dërgoi Joabin e mbarë ushtrinë e trimave. Amonitët dolën e u rreshtuan për betejë përballë qytetit, ndërsa mbretërit, që kishin ardhur, qëndruan veçmas në fushë. Joabi e vuri re se ishte i rrethuar në fushë betejë nga para e nga pas, prandaj zgjodhi disa prej burrave më të spikatur në Izrael dhe i rreshtoi kundër arameasve. Pjesën tjetër të ushtrisë ia la Abishait, vëllait të vet. Këta u rreshtuan kundër amonitëve. Pastaj tha: «Nëse arameasit janë më të fortë se unë, ti do të vish për të më shpëtuar, por nëse amonitët do të jenë më të fortë se ti, unë do të të shpëtoj. Bëhu i fortë! Të tregohemi të fortë për popullin tonë e për qytetet e Perëndisë tonë. Zoti e bëftë si t'i duket mirë!». Atëherë Joabi e populli që ishte me të iu turr në betejë arameasve, të cilët ua mbathën këmbëve. Kur amonitët panë se arameasit kishin ikur, ia mbathën edhe ata prej Abishait, vëllait të Joabit, e u kthyen në qytet. Atëherë Joabi shkoi në Jerusalem. Kur arameasit panë se humbën përballë Izraelit, dërguan lajmëtarë, për të thirrur arameasit që ishin përtej Eufratit. U printe Shofahu, kreu i ushtrisë së Hadadezerit. Kur i treguan Davidit, ai mblodhi mbarë Izraelin, kapërceu Jordanin, mbërriti tek ata e u rreshtua kundër tyre. Davidi u doli në betejë arameasve dhe ata u ndeshën me të. Por arameasit morën arratinë përballë Izraelit. Davidi vrau shtatë mijë kalorës e dyzet mijë këmbësorë arameas. Vrau edhe Shofahun, kreun e ushtrisë. Kur shërbëtorët e Hadadezerit panë se po humbnin kundër Izraelit, bënë paqe me Davidin e iu nënshtruan. Arameasit nuk synuan më të ndihmonin amonitët. Në ndërrimin e viteve, në kohën kur mbretërit dalin në luftë, Joabi i priu ushtrisë, rrënoi tokën e amonitëve dhe shkoi e pushtoi Rabahun, ndërsa Davidi qëndroi në Jerusalem. Joabi e goditi Rabahun dhe e rrafshoi. Davidi ia hoqi nga koka kurorën mbretit të tyre dhe pa se peshonte më shumë se tridhjetë kilogramë ar dhe kishte një gur të çmuar. Kurorën ia vunë në kokë Davidit. Ai mori nga ai qytet plaçkë shumë të madhe. Popullin që banonte aty e dëboi dhe e vuri të punonte me sharra, kazma hekuri e sëpata. Davidi veproi njësoj me të gjitha qytetet e amonitëve. Pastaj u kthye në Jerusalem me mbarë popullin. Pas këtyre ngjarjeve plasi lufta kundër filistinëve në Gezer. Sibeka Hushatiti vrau Sipain, njërin prej pasardhësve të refaitëve, dhe filistinët u nënshtruan. Pati edhe një tjetër luftë me filistinët dhe Elhanani, biri i Jairit, vrau Lahmiun, vëllanë e Goliat Gititit, që e kishte dorëzën e heshtës porsi boshti i tezgjahut. Edhe në Gat u bë luftë. Aty u gjet një burrë shtatmadh, me nga gjashtë gishtërinj në secilën dorë e nga gjashtë gishtërinj në secilën këmbë, gjithsej njëzet e katër. Edhe ai ishte pasardhës i Rafait. Kur ai i përqeshi izraelitët, e vrau Jonatani, biri i Shimeait, të vëllait të Davidit. Këta i kishin lindur Rafait në Gat. Ata ranë prej dorës së Davidit e shërbëtorëve të tij. Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin t'i numëronte izraelitët. Davidi i tha Joabit e prijësve të popullit: «Shkoni e numërojini izraelitët nga Bersheba në Dan dhe ma sillni numrin, që ta di». Por Joabi i tha: « Zoti e shumoftë popullin e vet njëqindfish, por a nuk janë ata të gjithë shërbëtorët e timzoti, o imzot mbret? Pse po e kërkon këtë, imzot? Pse duhet të bjerë ky faj mbi Izraelin?». Por fjala e mbretit e detyroi Joabin, prandaj ai shkoi gjithandej në Izrael e u kthye në Jerusalem. Joabi i dorëzoi Davidit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej një milion e njëqind mijë burra në Izrael dhe katërqind e shtatëdhjetë mijë burra në Judë. Ndër ta nuk kishte numëruar as levitët, as fisin e Benjaminit, sepse urdhri i mbretit i ishte dukur i neveritshëm Joabit. Perëndisë nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj e ndëshkoi Izraelin. Davidi i tha Perëndisë: «Mëkatova shumë me këtë që bëra. Por, po të përgjërohem, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». Atëherë Zoti i tha Gadit, vegimtarit të Davidit: «Shko e thuaji Davidit se kështu thotë Zoti: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». Gadi erdhi te Davidi e i tha se kështu thotë Zoti: «Zgjidh për vete, ose tri vjet zi buke, ose tre muaj arrati nga armiqtë e tu, shpata e të cilëve do të jetë më e fortë, ose tri ditë nën shpatën e Zotit, me murtajën, që merr dhenë, dhe me engjëllin e Zotit që shkreton Izraelin skaj më skaj. Prandaj, shihe vetë çfarë duhet t'i përgjigjem atij që më dërgoi». Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!». Atëherë Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe ranë shtatëdhjetë mijë vetë. Perëndia dërgoi engjëllin në Jerusalem për ta shkatërruar. Por, ndërsa po e shkatërronte, Zoti pa dhe hoqi dorë nga e keqja, prandaj i tha engjëllit shkatërrimtar: «Mjaft tani! Ndale dorën!». Atëherë engjëlli u ndal te lëmi i Ornan Jebusitit. Davidi çoi sytë e pa engjëllin e Zotit tek qëndronte mes tokës e qiellit, me shpatën zhveshur në dorë në drejtim të Jerusalemit. Pastaj Davidi e pleqtë u veshën me grathore e ranë përmbys. Davidi i tha Perëndisë: «A nuk e dhashë unë urdhrin për të numëruar popullin? Unë mëkatova e veprova me ligësi, por, këto dele çfarë kanë bërë? O Zot, Perëndia im, të lutem, le të më godasë dora jote mua dhe shtëpinë e tim eti, por të mos godasë popullin tënd». Engjëlli i Zotit i tha Gadit t'i thoshte Davidit që të ngjitej e t'i ngrinte Zotit një altar në lëmin e Ornan Jebusitit. Davidi shkoi, sipas fjalës që kishte thënë Gadi në emër të Zotit. Ornani u kthye e pa engjëllin. Katër bijtë e tij, që ishin me të, u fshehën. Ornani po shinte drithin, kur iu afrua Davidi. Porsa e pa, e vuri re se ishte Davidi, doli nga lëmi dhe u përkul para Davidit me fytyrë përdhe. Davidi i tha Ornanit: «Ma jep mua vendin e lëmit, që t'i ndërtoj Zotit një altar. Ma jep me çmim të plotë, që të largohet lëngata nga populli». Ornani i tha Davidit: «Merre dhe le të bëjë imzot mbreti çfarë të dojë. Ja, po të jap edhe mëzetërit për flitë e shkrumbimit, edhe sharrën për dru, edhe drithin për flinë e drithit. Po të jap gjithçka». Por mbreti David i tha Ornanit: «Jo, dua ta blej me çmim të plotë. Nuk do t'i kushtoj Zotit diçka që të përket ty e të kushtoj një fli shkrumbimi falas». Atëherë Davidi i dha Ornanit gjashtëqind sikla ar për atë vend. Pastaj Davidi i ndërtoi Zotit një altar në atë vend dhe kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi. Ai e thirri Zotin e ai iu përgjigj me zjarrin që ra prej qiellit mbi altarin e flisë së shkrumbimit. Zoti e urdhëroi engjëllin dhe ai e ktheu shpatën në mill. Në atë kohë, pasi Davidi pa se Zoti e dëgjoi te lëmi i Ornan Jebusitit, po aty kushtoi fli. Tenda e Zotit, që Moisiu kishte ngritur në shkretëtirë, dhe altari i flive të shkrumbimit ishin në atë kohë në lartësinë e Gibeonit, por Davidi nuk mundi të shkonte atje për t'u këshilluar me Perëndinë, sepse ishte i tmerruar nga shpata e engjëllit të Zotit. Davidi tha: «Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi dhe ky është altari për flitë e shkrumbimit të Izraelit». Davidi urdhëroi të mblidheshin të huajt që gjendeshin në dheun e Izraelit dhe i caktoi të latonin e të gdhendnin gurë për ndërtimin e tempullit të Perëndisë. Ai përgatiti edhe një sasi të madhe hekuri për gozhdët e flegrave të portave dhe për shulat, si edhe një sasi të pallogaritshme bronzi. Edhe druri i cedrit ishte i pallogaritshëm, sepse sidonasit e tirasit i kishin sjellë shumë dru cedri. Davidi thoshte: «Im bir, Solomoni, është i ri e pa përvojë, mirëpo ndërtesa që duhet ndërtuar për Zotin duhet të jetë madhështore e duhet të njihet e të nderohet në të gjitha vendet, prandaj do t'i bëj vetë përgatitjet për të». Davidi përgatiti shumë gjëra para se të vdiste. Pastaj thirri Solomonin, birin e vet, dhe e urdhëroi t'i ndërtonte një tempull Zotit, Perëndisë së Izraelit. Davidi i tha Solomonit: «Biri im, e kam pasur për zemër të ndërtoja një tempull për emrin e Zotit, Perëndisë tim, por m'u drejtua kjo fjalë e Zotit: “Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë luftra të mëdha, prandaj nuk do të ndërtosh tempull për emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje. Ja, do të të lindë një bir e ai do të jetë njeri i paqes. Unë do ta lë të qetë nga të gjithë armiqtë që e rrethojnë, prandaj do ta ketë emrin Solomon. Në ditët e tij do t'i jap paqe e qetësi Izraelit. Ai do të ndërtojë një tempull për emrin tim. Ai do të jetë për mua bir e unë do të jem për të atë. Do ta vendos fronin e mbretërisë së tij përgjithmonë mbi Izraelin”. Tani, biri im, Zoti qoftë me ty dhe ti arrifsh t'ia ndërtosh tempullin Zotit, Perëndisë tënd, sipas fjalës që ai ka thënë për ty. Prandaj Zoti të dhëntë maturinë e urtinë, të vendostë mbi Izraelin, për të zbatuar ligjin e Zotit, Perëndisë tënd. Atëherë do t'ia dalësh, nëse do t'i mbash rregullat e vendimet, që Zoti i urdhëroi Moisiut për Izraelin. Bëhu i fortë e i guximshëm dhe mos ki frikë e as mos u tremb. Ja, me mund unë bëra gati për tempullin e Zotit mbi tre mijë tonë ar, mbi tridhjetë mijë tonë argjend, si dhe bronz e hekur në sasi të pallogaritshme. Kam përgatitur edhe dru e gurë, por ti do të mbledhësh edhe më shumë. Ke me vete shumë punëtorë, latues, gurgdhendës, drugdhendës e zejtarë për çdo punim. Ari, argjendi, bronzi e hekuri janë të pallogaritshëm. Përvishju punës e Zoti qoftë me ty!». Davidi i urdhëroi të gjithë prijësit e Izraelit ta ndihmonin Solomonin, birin e tij: «A nuk është me ju Zoti, Perëndia juaj? A nuk ju ka dhënë siguri nga të gjitha anët? Ai m'i shtiu në dorë banorët e vendit dhe vendi iu nënshtrua Zotit e popullit të tij. Tani jepuni me zemër e me shpirt në kërkim të Zotit, Perëndisë tuaj. Ngrihuni e ndërtoni shenjtëroren e Zotit Perëndi, për ta sjellë arkën e besëlidhjes së Zotit dhe enët e Zotit në tempullin e ndërtuar për emrin e Zotit ». Davidi, i plakur e i nginjur me ditë, e vuri Solomonin, birin e tij, mbret mbi Izraelin. Ai mblodhi të gjithë prijësit e Izraelit, priftërinjtë e levitët. Levitët mbi tridhjetë vjeç u numëruan një për një dhe numri i tyre ishte tridhjetë e tetë mijë. Njëzet e katër mijë prej tyre drejtonin punimet në tempullin e Zotit, gjashtë mijë ishin kryepunëtorë e gjykatës, katër mijë derëtarë dhe katër mijë këngëtarë lavdesh për Zotin, me të gjitha veglat që i kishte bërë Davidi për përlëvdim. Davidi i ndau bijtë e Levit në këto rende: Gershonin, Kohatin e Merarin. Bijtë e Gershonit ishin Ladani e Shimei. Bijtë e Ladanit, Jehieli, i pari, Zetami e Joeli. Gjithsej tre. Bijtë e Shimeit, Shelomoti, Hazieli e Harani. Gjithsej tre. Këta qenë krerët e fiseve të Ladanit. Bijtë e Shimeit ishin Jahati, Zinai, Jeushi e Berjahu. Këta të katërt qenë bijtë e Shimeit. Jahati ishte i pari, ndërsa Zizai i dyti. Jeushi e Berjahu nuk patën shumë fëmijë, prandaj mbetën një shtëpi e një rend. Bijtë e Kohatit ishin Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Gjithsej katër. Bijtë e Amramit, Aroni e Moisiu. Aroni u veçua për të kushtuar më të shenjtat, ai e bijtë e tij përgjithmonë, për të kushtuar temjan para Zotit, për t'i shërbyer atij e për të dhënë bekime në emrin e tij përgjithmonë. Bijtë e Moisiut, njeriut të Perëndisë, u numëruan me fisin e Levit. Bijtë e Moisiut ishin Gershomi dhe Eliezeri. Bijtë e Gershomit, Shebueli, i pari. Bijtë e Eliezerit, Rehabiahu, i pari. Eliezeri nuk pati bij të tjerë, por Rehabiahu pati shumë bij. Bijtë e Icharit, Shelomoti, i pari. Bijtë e Hebronit, Jeriahu, i pari, Amarjahu, i dyti, Jahazieli, i treti e Jekameami, i katërti. Bijtë e Uzielit, Mikahu, i pari, e Ishjahu, i dyti. Bijtë e Merarit ishin Mahliu dhe Mushiu. Bijtë e Mahliut, Eleazari e Kishi. Eleazari vdiq pa lënë bij, por vetëm bija. Kushërinjtë e tyre, bijtë i Kishit, u martuan me to. Bijtë e Mushiut ishin Mahliu, Ederi e Jeremoti. Gjithsej tre. Këta qenë bijtë e Levit sipas fiseve të tyre, krerët e fiseve sipas numërimit me emër, një për një, mbi njëzet vjeç, të caktuar për të shërbyer në tempullin e Zotit. Davidi kishte thënë: « Zoti, Perëndia i Izraelit, i dha prehje popullit të vet dhe ai banon përgjithmonë në Jerusalem. As levitët nuk duhet ta bartin më tendën dhe të gjitha pajisjet për shërbesën në të». Sipas fjalëve të fundit të Davidit, numërimi i bijve të Levit u bë nga njëzet vjeç e sipër. Ata kishin për detyrë të ndihmonin bijtë e Aronit në shërbesën e tempullit të Zotit, nëpër treme, nëpër qilarë, për pastrimin e të gjitha sendeve të shenjta dhe për çfarëdo pune në tempullin e Perëndisë, për bukën e kushtimit, për miellin e flisë së drithit, për pitet, për të ndormet, për të pjekurat, për të përzierat dhe për të gjitha peshat e masat. Duhej të paraqiteshin çdo mëngjes e çdo mbrëmje për të falënderuar e lavdëruar Zotin, si edhe për të gjitha flitë e shkrumbimit që i kushtoheshin Zotit të shtunave, për hënat e reja dhe për të kremtet, sipas numrit që u ishte caktuar për të qëndruar gjithmonë para Zotit. Duhej të kryenin edhe detyrat e tendës së takimit e të shenjtërores, si edhe detyrat kundrejt bijve të Aronit, vëllezërve të tyre, për shërbesën e tempullit të Zotit. Rendi i bijve të Aronit. Bijtë e Aronit ishin Nadabi, Abihui, Eleazari e Itamari. Nadabi e Abihui vdiqën përpara atit të tyre e nuk patën fëmijë, prandaj Eleazari e Itamari u bënë priftërinj. Davidi i ndau, sipas shërbesës së tyre, me Cadokun, njërin prej bijve të Eleazarit, dhe Ahimelekun, njërin prej bijve të Itamarit. Meqë u gjetën më shumë krerë ndër bijtë e Eleazarit sesa ndër bijtë e Itamarit, u ndanë kështu: gjashtëmbëdhjetë kryefamiljarë për bijtë e Eleazarit dhe tetë për bijtë e Itamarit. I ndanë me short të dyja palët, sepse aty kishte prijës të shenjtërores e prijës të Perëndisë, si ndër bijtë e Eleazarit, ashtu edhe ndër bijtë e Itamarit. Shkruesi Shemajah, levit e biri i Netanelit, i renditi në praninë e mbretit, të princave, të priftit Cadok, të Ahimelekut, birit të Abiatarit, të krerëve të fiseve priftërore dhe të levitëve. Një fis u zgjodh për Eleazarin e një për Itamarin. Shorti i parë i ra Jehojaribit, i dyti Jedajahut, i treti Harimit, i katërti Seorimit, i pesti Malkjahut, i gjashti Mijaminit, i shtati Hakocit, i teti Abijahut, i nënti Jeshuait, i dhjeti Shekanjahut, i njëmbëdhjeti Eliashibit, i dymbëdhjeti Jakimit, i trembëdhjeti Hupahut, i katërmbëdhjeti Jeshebeabit, i pesëmbëdhjeti Bilgahut, i gjashtëmbëdhjeti Imerit, i shtatëmbëdhjeti Hezirit, i tetëmbëdhjeti Hapicecit, i nëntëmbëdhjeti Petahiahut, i njëzeti Ezekielit, i njëzetenjëti Jakinit, i njëzetedyti Gamulit, i njëzetetreti Delajahut, i njëzetekatërti Mazjahut. Këto ishin ndarjet sipas detyrave për hyrjen në tempullin e Zotit, sipas urdhëresave që u kishte dhënë paraardhësi i tyre Aroni, siç e kishte urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit. Për sa u përket bijve të tjerë të Levit, për bijtë e Amramit, u zgjodh Shubaeli; për bijtë e Shubaelit, Jehdejahu; për Rehabiahun, i pari i bijve të Rehabiahut, Ishjahu; për Icharitët, Shelomoti; dhe për bijtë e Shelomotit, Jahati. Bijtë e Hebronit ishin Jeriahu, i pari; Amarjahu, i dyti; Jahazieli, i treti; dhe Jekameami, i katërti. Bijtë e Uzielit ishin Mikahu dhe prej bijve të Mikahut, Shamiri. Vëllai i Mikahut ishte Ishjahu dhe prej bijve të Ishjahut, Zakaria. Bijtë e Merarit ishin Mahliu e Mushiu; bijtë e Jazijahut, Benoi; bijtë e Merarit, prej Jazijahut, Benoi, Shohami, Zakuri e Ibriu; për Mahliun, Eleazari, i cili nuk pati bij, dhe Kishi; bijtë e Kishit, Jerahmeli; dhe bijtë e Mushiut, Mahliu, Ederi e Jerimoti. Këta ishin bijtë e levitëve sipas fiseve të tyre. Edhe ata, krerët e fiseve deri te më i vogli, si vëllezërit e tyre, bijtë e Aronit, hodhën short para mbretit David, para Cadokut, Ahimelekut dhe krerëve të fiseve të priftërinjve e të levitëve. Davidi e prijësit e ushtrisë caktuan për shërbesën bijtë e Asafit, të Hemanit e të Jedutunit. Ata profetizonin me lira, harpa e cimbale. Ky është numërimi i njerëzve që duhej të kryenin shërbesën: për bijtë e Asafit, Zakuri, Jozefi, Netanjahu e Asarelahu. Bijtë e Asafit ishin nën drejtimin e Asafit, i cili ishte nën drejtimin e mbretit. Për Jedutunin, Gedaliahu, Ceriu, Isaia, Shimei, Hashabiahu e Matitjahu, bijtë e Jedutunit; gjashtë vetë nën drejtimin e atit të tyre Jedutunit, të cilët profetizonin me harpë, për të falënderuar e lavdëruar Zotin; dhe për Hemanin, bijtë e Hemanit, Bukjahu, Matanjahu, Uzieli, Shebueli e Jerimoti, Hananiahu, Hananiu, Eliatahu, Gidaltiu e Romamtiezeri, Joshbekashahu, Malotiu, Hotiri e Mahazioti. Të gjithë këta ishin bijtë e Hemanit, vegimtarit të mbretit, sipas premtimit që i kishte bërë Perëndia se do ta lartësonte, sepse Perëndia i kishte falur Hemanit katërmbëdhjetë bij e tri bija. Këta ishin të gjithë nën drejtimin e të atit. Këndonin në tempullin e Zotit me cimbale, harpa e lira, për shërbesën në tempullin e Perëndisë, nën drejtimin e mbretit. Asafi, Jedutuni, Hemani dhe numri i vëllezërve të tyre, që kishin mësuar të këndonin për Zotin, ishte dyqind e tetëdhjetë e tetë. Për rendin e shërbesës hodhën short i madh e i vogël, mësues e nxënës. Shorti i parë, për Asafin, i ra Jozefit; i dyti, Gedaliahut, vëllezërve e bijve e tij, gjithsej dymbëdhjetë; i treti, Zakurit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i katërti, Jecerit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i pesti, Netanjahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i gjashti, Bukjahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i shtati, Jesarelahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i teti, Isaisë, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i nënti, Matanjahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i dhjeti, Shimeit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i njëmbëdhjeti, Azarelit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i dymbëdhjeti, Hashabiahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i trembëdhjeti, Shubaelit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i katërmbëdhjeti, Matitjahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i pesëmbëdhjeti, Jeremotit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i gjashtëmbëdhjeti, Hananiahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i shtatëmbëdhjeti, Joshbekashahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i tetëmbëdhjeti, Hananiut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i nëntëmbëdhjeti, Malotiut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i njëzeti, Eliatahut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i njëzetenjëti, Hotirit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i njëzetedyti, Gidaltiut, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; i njëzetetreti, Mahaziotit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë; dhe i njëzetekatërti, Romamtiezerit, bijve e vëllezërve të tij, gjithsej dymbëdhjetë. Ky ishte rendi i derëtarëve: për korahitët, Meshelemjahu, biri i Koreut, prej bijve të Asafit; për bijtë e Meshelemjahut, Zakaria i pari, Jediaeli i dyti, Zebadjahu i treti, Jatnieli i katërti, Elami i pesti, Jehohanani i gjashti, Eliehoenai i shtati; dhe për bijtë e Obed Edomit, Shemajahu, i parëlinduri, Jehozabadi i dyti, Joahu i treti, Sahari i katërti, Netaneli i pesti, Amieli i gjashti, Isahari i shtati, Peuletai i teti, sepse Perëndia e kishte bekuar. Shemajahut, birit të tij, i lindën bij, të cilët e udhëhoqën fisin e vet, sepse ishin trima të fortë. Bijtë e Shemajahut ishin Otniu, Refaeli, Obedi dhe Elzabadi, me vëllezërit e tyre Elihuin e Semakiahun, burra të fortë. Të gjithë këta ishin pasardhësit e Obed Edomit, me bijtë dhe vëllezërit e tyre, burra të fortë, të aftë për shërbim. Nga Obed Edomi ishin gjithsej gjashtëdhjetë e dy. Meshelemjahu pati bij e vëllezër të fortë, gjithsej tetëmbëdhjetë. Hosahu, njëri prej bijve të Merarit, pati për bij Shimriun, të parëlindurin, të cilin e caktoi kryetar fisi. Hilkiahu ishte i dyti, Tebaliahu i treti, Zakaria i katërti, gjithsej bijtë dhe vëllezërit e Hosahut ishin trembëdhjetë. Këto rende derëtarësh e burrat që u prinin kishin të njëjtat detyra si vëllezërit e tyre për shërbimin në tempullin e Zotit. Hodhën short i vogël e i madh sipas fiseve, për secilën derë. Për lindjen i ra shorti Shelemiahut. Hodhën short edhe për Zakarinë, birin e tij, këshilltar i mençur, të cilit i ra për short veriu. Obed Edomit i ra jugu, ndërsa bijve të tij i ranë qilarët. Shupimit e Hosahut u ra perëndimi me derën e Shaleketit, në rrugën e përpjetë. Ishin rojë më rojë. Në lindje ishin caktuar gjashtë levitë çdo ditë; në veri katër çdo ditë; në jug katër çdo ditë; si edhe nga dy te qilarët. Te vrojtorja perëndimore ishin katër në rrugë e dy në vrojtore. Këto ishin rendet e derëtarëve për bijtë e Koreut e për bijtë e Merarit. Levitët, vëllezërit e tyre, kujdeseshin për thesaret e tempullit të Perëndisë dhe për thesaret e sendeve të shenjtëruara. Bijtë e Ladanit, bijtë e gershonitëve, që i përkisnin Ladanit, kryefamiljarët, që i përkisnin Ladan Gershonitit, ishin jehielitët. Bijtë e Jehielit, Zetami e Joeli, vëllai i tij, ishin kujdestarë të thesareve të shtëpisë së Zotit. Për amramitët, icharitët, hebronitët e uzielitët, përgjegjësi i thesarëve ishte Shebueli, biri i Gershomit, të birit të Moisiut. Vëllezërit e tij, prej Eliezerit, ishin biri i tij Rehabiahu, që pati për bir Isainë, që pati për bir Joramin, që pati për bir Zikriun, që pati për bir Shelomotin. Ky, Shelomoti, dhe vëllezërit e tij, ishin përgjegjës për të gjitha thesaret e sendeve të shenjtëruara, që kishin kushtuar mbreti David, kryetarët e fiseve, kryemijësit, kryeqindësit e prijësit e ushtrisë. Ata kushtuan për mirëmbajtjen e tempullit të Zotit edhe pjesë nga preja e luftës, nga plaçkat e tjera dhe nga gjithçka kishin kushtuar vegimtari Samuel, Sauli, biri i Kishit, Abneri, biri i Nerit e Joabi, biri i Cerujahut. Të gjitha kushtimet ishin nën kujdesin e Shelomotit dhe të vëllezërve të tij. Për icharitët, Kenanjahu e bijtë e tij u caktuan si përgjegjës për punët e jashtme të Izraelit, si nëpunës e gjyqtarë. Për hebronitët u caktuan Hashabiahu e vëllezërit e tij, një mijë e shtatëqind trima, të mbikëqyrnin Izraelin nga ana perëndimore e Jordanit, për punët e Zotit e në shërbim të mbretit. Sa për hebronitët, Jerjahu ishte kreu i hebronitëve për secilin brez të fisit. Në vitin e dyzetë të mbretërimit të Davidit u bënë kërkime dhe u gjetën mes tyre trima të fortë në Jazer Gilead. Vëllezërit e tij, dy mijë e shtatëqind njerëz të fortë, mbreti David i caktoi përgjegjës për rubenitët, gaditët dhe gjysmën e fisit të manasenjve, për të gjitha punët hyjnore e mbretërore. Këta janë bijtë e Izraelit, sipas numrit të krerëve të fiseve, kryemijësit dhe kryeqindësit, nëpunësit në shërbim të mbretit, sipas rendeve me të cilat hynin e dilnin për çdo muaj, gjatë të gjithë muajve të vitit. Çdo rend kishte nga njëzet e katër mijë vetë. Në krye të rendit të parë të muajit të parë u caktua Jashobeami, biri i Zabdielit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. Ai ishte një nga pasardhësit e Perecit dhe ishte kreu i të gjithë prijësve të ushtrisë për muajin e parë. Në krye të rendit të muajit të dytë u caktua Doda Ahohiti. Në krye të rendit të tij ishte Mikloti. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. Prijësi i tretë ushtarak, për muajin e tretë, ishte Benajahu, biri i kryepriftit Jehojada. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. Ky, Benajahu, ishte njëri prej tridhjetë trimave, kreu i të tridhjetëve dhe i rendit të vet. Amizabadi ishte biri i tij. I katërti, për muajin e katërt, ishte Asaheli, vëllai i Joabit, pas të cilit vinte i biri, Zebadjahu. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I pesti, për muajin e pestë, ishte prijësi Shamhut Izrahiti. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I gjashti, për muajin e gjashtë, ishte Irai, biri i Ikesh Tekoitit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I shtati, për muajin e shtatë, ishte Halec Peloniti, njëri prej pasardhësve të Efraimit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I teti, për muajin e tetë, ishte Sibeka Hushatiti, prej zerahitëve. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I nënti, për muajin e nëntë, ishte Abiezer Anatoti, prej benjaminasve. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I dhjeti, për muajin e dhjetë, ishte Mahara Netofatiti, prej zerahitëve. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I njëmbëdhjeti, për muajin e njëmbëdhjetë, ishte Benajah Piratoniti, prej pasardhësve të Efraimit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. I dymbëdhjeti, për muajin e dymbëdhjetë, ishte Helda Netofatiti, prej Otnielit. Rendi i tij kishte njëzet e katër mijë vetë. Në krye të fiseve të Izraelit ishin këta: për fisin e Rubenit ishte udhëheqës Eliezeri, biri i Zikriut; për të Simeonit, Shefatjahu, biri i Makahut; për të Levit, Hashabiahu, biri i Kemuelit; për të Aronit, Cadoku; për të Judës, Elihui, njëri prej vëllezërve të Davidit; për të Isaharit, Omriu, biri i Mikaelit; për të Zabulonit, Ishmajahu, biri i Abdisë; për të Neftaliut, Jerimoti, biri i Azrielit; për pasardhësit e Efraimit, Hosea, biri i Azazjahut; për gjysmën e fisit të Manaseut, Joeli, biri i Pedajahut; për gjysmën tjetër të Manaseut në Gilead, Idoi, biri i Zakarisë; për Benjaminin, Jasieli, biri i Abnerit; dhe për Danin, Azareli, biri i Jerohamit. Këta ishin prijësit e fiseve të Izraelit. Davidi nuk i numëroi ata që ishin më të rinj se njëzet vjeç, sepse Zoti kishte thënë se do ta shumonte Izraelin sa yjet e qiellit. Joabi, biri i Cerujahut, filloi të numëronte, por nuk përfundoi. Për këtë arsye pati zemëratë në Izrael dhe numërimi nuk hyri në librin e Kronikave të mbretit David. Kujdestari i thesarit të mbretit ishte Azmaveti, biri i Adielit. Kujdestari i thesareve të fushave, të qyteteve, të fshatrave e të kullave ishte Jonatani, biri i Uziahut. Përgjegjësi i punëtorëve të arave, për punimin e tokës, ishte Ezriu, biri i Kelubit. Përgjegjësi i vreshtave ishte Shime Ramatiti, ndërsa përgjegjës për prodhimet e vreshtave dhe për qilarët e verës ishte Zabdi Shifmiti. Përgjegjësi i ullishtave dhe i fiqve në Shefelah ishte Baal Hanan Gederiti, ndërsa përgjegjësi i qilarëve të vajit ishte Joashi. Përgjegjësi për bagëtitë që kullotnin në Sharon ishte Shitra Sharoniti. Përgjegjësi për bagëtitë në lugina ishte Shafati, biri i Adlajit. Përgjegjësi për devetë ishte Obil Ishmaeliti, ndërsa për gomarët Jehdejah Meronotiti. Përgjegjësi për grigjat ishte Jaziz Hagriti. Të gjithë këta ishin kujdestarët e pronave të mbretit David. Jonatani, ungji i Davidit, ishte këshilltar. Ai ishte njeri i zgjuar e shkrues. Bashkë me Jehielin, birin e Hakmoniut, ai kujdesej për bijtë e mbretit. Ahitofeli ishte këshilltar i mbretit. Husha Arkiti ishte mik i mbretit. Pas Ahitofelit erdhi Jehojadai, biri i Benajahut, dhe Abiatari. Prijësi i ushtrisë së mbretit ishte Joabi. Davidi mblodhi në Jerusalem të gjithë prijësit e Izraelit, prijësit e fiseve, prijësit e rendeve në shërbim të mbretit, kryemijësit e kryeqindësit, kujdestarët e të gjitha bagëtive dhe pasurive të mbretit e të bijve të tij, bashkë me oborrtarët, trimat dhe të gjithë ushtarët e fuqishëm. Davidi u ngrit në këmbë e tha: «Dëgjomëni, o vëllezërit e mi e populli im. E kisha për zemër të ndërtoja një shtëpi ku të prehet arka e besëlidhjes së Zotit dhe shtroja e këmbëve të Perëndisë tonë, prandaj i bëra përgatitjet për ndërtim. Por Perëndia më tha: “Nuk do të ndërtosh shtëpi për emrin tim, sepse je luftëtar e ke derdhur gjak”. Zoti, Perëndia i Izraelit, më zgjodhi mua nga mbarë shtëpia e tim eti, për të më bërë mbret mbi Izraelin përgjithmonë, sepse ai zgjodhi Judën si prijës dhe, në shtëpinë e Judës, shtëpinë e atit tim. Ndër bijtë e atit tim, i pëlqeu të më bënte mua mbret mbi mbarë Izraelin. Prej të gjithë bijve të mi, sepse Zoti më ka dhënë shumë bij, ai zgjodhi Solomonin, birin tim, që të ulet në fronin e mbretërisë së Zotit në Izrael. Ai më tha: “Solomoni, biri yt, do të ndërtojë shtëpinë time dhe tremet e mia, sepse unë e zgjodha për bir e unë do të jem ati i tij. Do ta caktoj mbretërinë e tij deri në amshim, nëse do të jetë i fortë në zbatimin e urdhërimeve dhe të vendimeve të mia, si sot”. Tani, në sytë e mbarë Izraelit, bashkësisë së Zotit, dhe para Perëndisë që po na dëgjon, zbatojini e hetojini të gjitha urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, që të zotëroni këtë tokë të mirë e t'ua lini trashëgim bijve tuaj pas jush në amshim». «Ndërsa ti, Solomon, biri im, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër e me gjithë dëshirën e shpirtit, sepse Zoti i heton të gjitha zemrat dhe i kupton të gjitha prirjet e mendimet. Nëse e kërkon, bëhet i gjindshëm, por nëse e shpërfill, do të të flakë tej përgjithmonë. Shiko, tani, se Zoti të zgjodhi të ndërtosh një shtëpi për shenjtëroren. Ji i fortë e kryeje!». Pastaj Davidi i dha Solomonit, të birit, gjedhen e portikut, të tempullit, të qilarëve, të dhomave të epërme, të dhomave të brendshme dhe të sallës së pajtimores, gjedhen e gjithçkaje që kishte në mendje për tremet e shtëpisë së Zotit e për të gjitha dhomat anësore, për qilarët e shtëpisë së Perëndisë e për qilarët e dhuratave të shenjta, për rendet e priftërinjve e të levitëve dhe të gjithë veprimtarisë së shërbesës në shtëpinë e Zotit, si edhe për të gjitha enët e shërbesës në shtëpinë e Zotit, sasinë e arit për të gjitha enët e arta për secilën shërbesë, sasinë e argjendit për enët e secilës shërbesë, sasinë e arit për shandanët e llambat e tyre, sipas përdorimit të secilit shandan e të llambave të tyre, si edhe sasinë e argjendit për shandanët, sipas përdorimit të secilit shandan në shërbesë, sasinë e arit për secilën tryezë të bukës së paraqitjes, argjendin për tryezat e argjendta, pirunët, kupat, brokat prej ari të kulluar, sasinë e arit për kupat, për secilën kupë të artë, dhe sasinë e argjendit për secilën kupë, sasinë e arit të kulluar për altarin e temjanit dhe gjedhen për karrocën e artë të kerubëve me krahët e shpalosur që mbulonin arkën e besëlidhjes së Zotit. Gjithçka ishte shkruar për mua me dorën e Zotit dhe sqaronte zbatimet e asaj trajte. Pastaj Davidi i tha Solomonit, të birit: «Bëhu i fortë e guximtar. Puno pa u trembur e pa frikë, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, është me ty. Nuk do të të braktisë e nuk do të të lërë vetëm derisa ta kryesh tërë punën për shtëpinë e Zotit. Ja rendet e priftërinjve dhe të levitëve për të gjithë shërbesën e shtëpisë së Perëndisë. Për çdo punim do të kesh me vete zejtarë plot vullnet. Prijësit e mbarë populli janë nën urdhrat e tu». Mbreti David i tha mbarë bashkësisë: «Solomoni, biri im, i vetmi që zgjodhi Perëndia, është i ri e njomcak, ndërsa puna është e madhe, sepse tempulli nuk është për një njeri, por për Zotin Perëndi. Për tempullin e Perëndisë tim bëra gati me tërë fuqinë time arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat, bronzin për të bronztat, hekurin për të hekurtat, drurin për të drunjtat, gurë oniksi e gurë zbukurues, gurë të zinj e shumëngjyrësh, çdo gur të çmuar e alabastër me shumicë. Për më tepër, nga dashuria që kam për tempullin e Perëndisë tim, po jap për tempullin e Perëndisë tim thesarin e artë e të argjendtë që kam, përveç të gjitha gjërave që kam përgatitur për tempullin e shenjtë: njëqind tonë ar Ofiri, e dyqind e dyzet tonë argjend të kulluar për të veshur muret e tempullit, arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat e për të gjitha punimet e bëra prej zejtarëve. Tani, kush do të dhurojë sot, duarplot, për Zotin?». Atëherë krerët e shtëpive, krerët e fiseve të Izraelit, krerët e mijëra e qindra vetëve dhe mbikëqyrësit e punëve të mbretit dhuruan. Ata dhuruan për punimet e tempullit të Perëndisë njëqind e shtatëdhjetë tonë ar, dhjetë mijë monedha ari, treqind tonë argjend, gjashtëqind tonë bronz e tre mijë tonë hekur. Ata që zotëronin gurë të çmuar, i dhuruan për thesarin e tempullit të Zotit, nëpërmjet Jehiel Gershonitit. Populli u gëzua për dhuratat e veta, sepse i kishin dhuruar me gjithë zemër për Zotin. Edhe mbreti David u gëzua shumë. Davidi e bekoi Zotin para mbarë bashkësisë e tha: «I bekuar je ti, o Zot, Perëndia i Izraelit, atit tonë, ngaherë e përgjithmonë. Ty, o Zot, të takon madhëria, fuqia, shkëlqimi, lartësimi e madhështia, sepse ty të përket gjithçka në qiell e në tokë. Ty të takon mbretërimi, o Zot, i lartësuar mbi të gjithë. Prej teje buron pasuria e lavdia. Ti sundon mbi çdo gjë. Në dorën tënde janë pushteti e fuqia dhe ti e ke në dorë të madhërosh e të mëkëmbësh këdo. E tani, o Perëndia ynë, ne të falënderojmë dhe e lavdërojmë emrin tënd të lavdishëm. Por kush jam unë e kush është populli im, që të jemi të aftë të bëjmë kushtime të tilla? Sepse gjithçka vjen prej teje dhe përmes teje japim. Kalimtarë jemi para teje e të huaj si gjithë etërit tanë. Si hije janë ditët tona mbi dhe e nuk ka shpresë. O Zot, Perëndia ynë, gjithçka që kemi përgatitur me begati për t'i ndërtuar një shtëpi emrit tënd të shenjtë vjen prej teje dhe ty të përket gjithçka. E di, o Perëndia im, se ti i shqyrton zemrat e të pëlqen e drejta. Unë i kushtova me dëshirë e me zemër të drejtë të gjitha këto dhe tani shoh me gëzim se edhe populli yt i pranishëm këtu të kushton me dëshirë. O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, etërve tanë, ruaji gjithmonë këto prirje e mendime në zemrat e popullit tënd dhe drejtoji kah ti zemrat e tyre. Solomonit, birit tim, jepi një zemër të përkryer, që t'i mbajë urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tua e të zbatojë gjithçka që i parapërgatita për ndërtimin e tempullit». Pastaj Davidi i tha mbarë bashkësisë: «Bekojeni, pra, Zotin, Perëndinë tuaj». Atëherë mbarë bashkësia e bekoi Zotin, atin e etërve të tyre, u përkulën e ranë përmbys para Zotit e para mbretit. Ata i kushtuan fli Zotit, ndërsa të nesërmen i kushtuan Zotit fli shkrumbimi një mijë mëzetër, një mijë desh e një mijë qengja bashkë me flitë e stërpikjes e shumë fli të tjera për mbarë Izraelin. Atë ditë hëngrën e pinë me gëzim të madh në praninë e Zotit. Solomonin, birin e Davidit, e shpallën përsëri mbret dhe e vajosën për Zotin si prijës, ndërsa Cadokun si prift. Solomoni u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij. I shkoi mbarë dhe tërë populli e dëgjonte. Të gjithë prijësit, trimat dhe të gjithë bijtë e mbretit David iu betuan mbretit Solomon. Zoti e lartësoi Solomonin para mbarë Izraelit dhe e bëri madhështore mbretërinë e tij, siç nuk e kishte pasur asnjë mbret para tij në Izrael. Davidi, biri i Jeseut, mbretëroi mbi tërë trojet e Izraelit. Ai mbretëroi dyzet vjet në Izrael, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jerusalem. Davidi vdiq në pleqëri të lume, i nginjur me ditë, me pasuri e me nder. Pas tij mbretëroi biri i tij, Solomoni. Bëmat e hershme e të mëvonshme të mbretit David janë të shkruara në librin e Vegimtarit Samuel, në librin e Profetit Natan dhe në Librin e Vegimtarit Gad. Aty tregohet për mbretërimin e tij, për fuqinë e tij dhe për kohërat nën sundimin e tij, si në Izrael, ashtu edhe në të gjitha mbretëritë e tokës. Solomoni, biri i Davidit, e forcoi mbretërimin e tij. Zoti, Perëndia i tij, ishte me të dhe e bëri të madhërishëm. Solomoni foli me mbarë Izraelin, me kryemijësat e me kryeqindësit ushtarakë, me gjyqtarët, me të gjithë prijësit e mbarë Izraelit dhe me krerët e familjeve. Ai dhe gjithë kuvendi që ishte me të, shkuan në faltoren në vend të lartë, që ndodhej në Gibeon, sepse atje ishte tenda e takimit të Perëndisë, që e kishte punuar Moisiu, shërbëtori i Zotit, në shkretëtirë. Por Arkën e Perëndisë Davidi e kishte sjellë nga Kirjat Jearimi në vendin që kishte përgatitur për të, në tendën që kishte ngritur në Jerusalem. Altarin prej bronzi që kishte punuar Becaleli, biri i Uriut, të birit të Hurit, e kishte vendosur para tendës së Zotit në Gibeon. Atje kishte shkuar të këshillohej Solomoni me tërë kuvendin e Izraelit. Solomoni shkoi, pra, para Zotit, tek altari prej bronzi, që ndodhej te tenda e takimit, dhe mbi të kushtoi një mijë fli shkrumbimi. Atë natë, Perëndia iu shfaq Solomonit e i tha: «Kërko ç'të duash e unë do të ta jap». Solomoni i tha: «Ti ke treguar mirësi të madhe me atin tim, Davidin dhe më ke bërë mbret në vend të tij. E tani, o Zot, Perëndi, le të përmbushet premtimi që i bëre Davidit, atit tim. Më ke vënë të mbretëroj mbi një popull të madh sa rëra e tokës. Më jep, pra, urtinë dhe dijen për ta udhëhequr këtë popull, sepse kush mund ta udhëheqë popullin tënd kaq të madh?». Perëndia i tha Solomonit: «Fole me gjithë zemër dhe nuk më kërkove as pasuri, as prona, as lavdi, as vdekjen e armiqve e as jetë të gjatë për veten tënde, por më kërkove urti e dije për të udhëhequr popullin tim, mbi të cilin të vura të mbretërosh. Prandaj po të jap urti e dije, dhe madje, edhe pasuri, prona e nder që nuk i ka pasur asnjë prej mbretërve para teje e nuk do t'i ketë askush pas teje». Atëherë Solomoni u largua nga vendi i lartë në Gibeon, ku ndodhej tenda e takimit, dhe u kthye në Jerusalem për të mbretëruar mbi Izraelin. Solomoni mblodhi edhe qerre e kalorës. Ai kishte një mijë e katërqind qerre lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Disa qerre e kalorës ai i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerat i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin qerret. Mbreti ia kishte dalë t'i bënte argjendin e arin në Jerusalem të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, ishte me shumicë sa fiku që rritej në Shefelah. Kuajt Solomonit ia sillnin nga Egjipti dhe Keveja. Vetë tregtarët e mbretit i blinin kuajt në Keve. Qerret e luftës i sillnin nga Egjipti dhe një qerre kushtonte gjashtëqind sikla argjendi, ndërsa një kalë njëqind e pesëdhjetë. Tregtarët e mbretit u shisnin nga këto qerre e kuaj edhe të gjithë mbretërve të hititëve dhe mbretërve të Aramit. Solomoni vendosi të ndërtojë një tempull për nder të emrit të Zotit dhe një pallat mbretëror. Ai caktoi shtatëdhjetë mijë punëtorë ngarkim-shkarkimi, tetëdhjetë mijë gurgdhendës, që punonin në mal, dhe tre mijë e gjashtëqind mbikëqyrës. Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit, mbretit të Tirit, e i tha: «Ti i dërgove Davidit, atit tim, cedra për të ndërtuar shtëpinë ku banonte. M'i dërgo edhe mua. Ja, unë po filloj ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tim, një tempull që do t'i kushtohet atij. Në tempull do t'i kushtojmë Zotit temjan erëmirë, do t'i paraqesim pandërprerë bukët e paraqitjes dhe do t'i kushtojmë fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje, për të shtunat, për hënat e reja dhe për të gjitha të kremtet e Zotit, Perëndisë tonë, sepse kjo është detyrë e përhershme e Izraelit. Tempulli që po filloj të ndërtoj do të jetë madhështor, sepse edhe Perëndia ynë është më madhështor se të gjitha perënditë. Por kush mund të ndërtojë një tempull për atë që s'e nxënë as qiejt, as qiejt e qiejve? Kush jam unë që t'i ndërtoj një tempull vetëm për t'i kushtuar temjan? Prandaj më dërgo një njeri të aftë për të punuar arin, argjendin, bronzin dhe hekurin, që di të përdorë ngjyrën e purpurt, të kuqen dhe vjollcën, e që është mjeshtër i gdhendjes. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e mi nga Juda e nga Jerusalemi, të cilët i ka përgatitur Davidi, ati im. Më dërgo edhe dru cedri, qiparisi e pishe prej Libanit, sepse unë e di se shërbëtorët e tu janë mjeshtra për prerjen e drurit të Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me shërbëtorët e tu, që të përgatitin lëndë druri me shumicë, se tempulli që po filloj të ndërtoj do të jetë madhështor e i mrekullueshëm. Shërbëtorëve të tu, që do të presin e bëjnë gati drutë, do t'u jap për ushqim gjashtë mijë tonë grurë të shkoqur, gjashtë mijë tonë elb, tetëqind mijë litra verë dhe tetëqind mijë litra vaj». Hirami, mbreti i Tirit, i shkroi një letër Solomonit, ku i thoshte: « Zoti të ka caktuar ty mbret, sepse e do popullin e tij». E Hirami shtoi: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, krijuesi i qiejve e i tokës, që i dha mbretit David një bir plot urti, dije, mençuri e arsye, i cili po ndërton një tempull për nder të Zotit dhe një pallat mbretëror. Prandaj po të dërgoj, Huram Abiun, një burrë të urtë, të ditur e të mençur. Huram Abiu është i biri i njërës prej bijave të Danit, ndërsa i ati i tij është nga Tiri. Ai di të punojë arin, argjendin, bronzin, hekurin, gurin, drurin, ngjyrën e purpurt, vjollcën, të kuqen dhe lirin. Di të bëjë çdo gdhendje dhe ia pret mendja për çdo gjë që t'i kërkohet. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e tu dhe me mjeshtrat e timzoti, Davidit, atit tënd. Ndërsa ti, imzot, do t'u japësh shërbëtorëve të tu grurin, elbin, vajin dhe verën, që u ke premtuar. Ne do të presim aq dru Libani sa të duhen e do t'i sjellim nëpër det me trapa deri në Jafë. Pastaj ti i çon në Jerusalem». Atëherë Solomoni bëri regjistrimin e të gjithë të ardhurve në Izrael, pas regjistrimit që kishte bëri ati i tij, Davidi, dhe dolën njëqind e pesëdhjetë e tri mijë e gjashtëqind. Shtatëdhjetë mijë prej tyre i caktoi si punëtorë ngarkim-shkarkimi, tetëdhjetë mijë si gurgdhendës në mal dhe tre mijë e gjashtëqind si mbikëqyrës të punëtorëve. Solomoni filloi ndërtimin e tempullit të Zotit në Jerusalem, në malin Moriah, ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit të tij. Davidi e kishte bërë gati vendin në lëmin e Ornan Jebusitit. Solomoni e filloi ndërtimin e tempullit në ditën e dytë të muajit të dytë të vitit të katërt të mbretërimit të tij. Përmasat e tempullit të Perëndisë që po ndërtonte Solomoni ishin gjatësia tridhjetë metra dhe gjerësia dhjetë metra. Portiku në ballinën e tempullit ishte i gjatë sa gjerësia e tempullit, pra dhjetë metra. Lartësia ishte gjashtëdhjetë metra. Muret e brendshme u veshën me ar të pastër. Anijatën Solomoni e veshi me dru qiparisi e pastaj me ar të pastër. Në to gdhendi palma dhe zinxhirë. Anijatën e zbukuroi me gurë të çmuar, ndërsa ari vinte nga Parvajimi. Solomoni i veshi me ar trarët, pragjet, muret dhe dyert e anijatës, ndërsa mbi mure gdhendi kerubë. Ai ndërtoi edhe një dhomë që quhej shenjtërorja e shenjtëroreve. Gjatësia e saj ishte dhjetë metra, sa gjerësia e tempullit. Edhe gjerësia e saj ishte dhjetë metra. E veshi me ar të pastër me vlerë rreth njëzet tonë ar. Pesha e gozhdëve ishte gjashtëqind gramë ar. Edhe dhomat e sipërme i veshi me ar. Në shenjtëroren e shenjtëroreve punoi dy kerubë të gdhendur dhe i veshi me ar. Largësia e krahëve të kerubëve ishte dhjetë metra. Njëri krah ishte dy metra e gjysmë i gjatë dhe prekte murin e tempullit, ndërsa krahu tjetër prekte krahun e kerubit tjetër. Edhe krahu i kerubit tjetër ishte dy metra e gjysmë i gjatë dhe prekte murin e tempullit. Krahu tjetër i tij ishte po dy metra e gjysmë dhe prekte krahun e kerubit të parë. Krahët e hapur të dy kerubëve shtriheshin dhjetë metra. Ata qëndronin më këmbë, me fytyrë të kthyer nga anijata. Pastaj Solomoni bëri velin prej liri të hollë në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe të kuqe. Mbi to qëndisi kerubë. Në hyrje të tempullit Solomoni punoi dy shtylla nga shtatëmbëdhjetë metra të larta. Krythat, që ndodheshin mbi to, ishin nga dy metra e gjysmë të larta. Brenda ai punoi disa vargje dhe i vendosi në majë të shtyllave. Punoi edhe njëqind shegë, të cilat i vari nëpër vargje. Dy shtyllat i vuri në ballinën e tempullit. Njërën shtyllë e vuri djathtas dhe e quajti «Jakin», ndërsa shtyllën tjetër e vuri majtas dhe e quajti «Boaz». Solomoni bëri një altar prej bronzi, që ishte dhjetë metra i gjatë, dhjetë metra i gjerë e pesë metra i lartë. Ai punoi edhe një det prej metali të shkrirë që kishte trajtë rrethore dhe gjerësi pesë metra nga buza në buzë. Thellësia e detit prej metali ishte dy metra e gjysmë, ndërsa perimetri ishte pesëmbëdhjetë metra i gjatë. Nën buzët e detit të metaltë, përgjatë perimetrit, vareshin dy vargje me figura demash, të derdhura njësh me detin, me nga njëzet dema për metër. Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë dema, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti mbështetej mbi kurrizin e demave, që të pasmet i kishin të kthyera për nga brenda. Trashësia e detit ishte një pëllëmbë, ndërsa buzët e tij ishin si buzë kupe, në trajtë zambaku. Ai nxinte rreth njëqind e njëzet mijë litra. Solomoni bëri edhe dhjetë legenë. Pesë legenë i vuri në të majtë të detit të metaltë dhe pesë në të djathtë. Legenët përdoreshin për larjen e sendeve që shërbenin për flitë e shkrumbimit, ndërsa deti i metaltë përdorej për larjen e priftërinjve. Solomoni bëri edhe dhjetë shandanë prej ari, sipas trajtës së duhur, dhe i vendosi në tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë. Ai bëri edhe dhjetë tryeza dhe i vendosi edhe ato në tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë, si edhe njëqind kupa prej ari. Pastaj bëri tremen e priftërinjve, tremen e madhe dhe dyert e tremes, të cilat i veshi me bronz. Detin e metaltë e vendosi në anën e djathtë, në juglindje. Pastaj Hirami punoi rrethjet, lopatëzat dhe kupat. Kështu i mbaroi të gjitha punët që i kishte kërkuar mbreti Solomon për tempullin e Perëndisë. Ai bëri dy shtyllat me dalje të rrumbullakëta në majë, mbi të cilat u vendosën krythat, dhe dy rrjeta të thurura, për të mbuluar majën e shtyllave. Bëri edhe katërqind shegë për të dyja rrjetat e thurura. Secila rrjetë kishte nga dy rreshta shegësh, për të mbuluar daljet e rrumbullakëta për krythat, që ndodheshin mbi shtyllat. Punoi edhe bazat për legenët, që u vendosën mbi secilën bazë, detin me dymbëdhjetë qetë, që e mbartnin, rrethjet, lopatëzat dhe pirunët. Të gjitha këto pajisje, që mbreti Solomon i kërkoi Huram Abiut për tempullin e Zotit, u punuan me bronz të pastër. Mbreti kishte urdhëruar, që të gjitha pajisjet të derdheshin në tokën argjilore të luginës së Jordanit, midis Sukotit dhe Ceredahut. Solomoni bëri aq shumë pajisje, sa nuk u llogaritej pesha. Solomoni bëri edhe të gjitha pajisjet e tjera për tempullin e Perëndisë: altarin prej ari, tryezën e paraqitjes së bukës, shandanët bashkë me llambat prej ari të pastër, që digjeshin në kohën e caktuar brenda shenjtërores, gonxhet, llambat dhe mashat prej ari tejet të pastër, thikat, kupat, kusitë dhe mangallët prej ari të pastër, si edhe dyert e hyrjes së shenjtërores dhe të anijatës, po prej ari. Kështu, e tërë puna e mbretit Solomon për ndërtimin e tempullit të Zotit përfundoi. Solomoni solli të gjitha sendet, që ati i tij, Davidi, kishte shenjtëruar për Zotin, argjendin dhe arin, e i vuri në thesarin e tempullit të Perëndisë. Atëherë mbreti Solomon mblodhi në Jerusalem pleqësinë e Izraelit, krerët e fiseve dhe prijësit e popullit të Izraelit, për të mbartur arkën e besëlidhjes së Zotit nga qyteti i Davidit, që është Sioni. Të gjithë izraelitët u mblodhën pranë mbretit për të kremten në muajin e shtatë. Kur ishte mbledhur e gjithë pleqësia e Izraelit, levitët ngritën arkën. Arkën, tendën e takimit dhe të gjitha pajisjet e shenjta, që ishin në tendë, i mbartën priftërinjtë dhe levitët. Mbreti Solomon e mbarë bashkësia e Izraelit, që ishte mbledhur pranë tij, kushtuan para arkës aq shumë dele e qe, sa nuk i numëroje dot. Priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Zotit në vendin e saj brenda shenjtërores, në shenjtëroren e shenjtëroreve, dhe e vendosën nën krahët e kerubëve. Kerubët i shtrinin krahët mbi vendin ku rrinte arka dhe mbulonin arkën me gjithë shufrat. Shufrat e arkës ishin të gjata dhe majat e tyre dukeshin nga përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë aty edhe sot e kësaj dite. Brenda në arkë ndodheshin vetëm dy pllakat prej guri, të cilat i kishte futur Moisiu në malin Horeb, atje ku Zoti kishte bërë besëlidhjen me izraelitët, pas daljes nga Egjipti. Pastaj priftërinjtë filluan të dilnin nga shenjtërorja. Të gjithë priftërinjtë, që ishin aty, ishin shenjtëruar, pa marrë shumë parasysh rangun. Ndërkohë të gjithë këngëtarët levitë, Asafi, Hemani dhe Jedutuni, bijtë dhe vëllezërit e tyre, të veshur me veshje të bardha liri, me cimbale, me harpa dhe me qeste në dorë, qëndronin më këmbë në lindje të altarit. Bashkë me ta ishin njëqind e njëzet priftërinj që u binin borive. Ata që u binin borive dhe këngëtarët këndonin në një zë, duke i thurur himne Zotit e duke falënderuar me tingujt e borive, cimbaleve e veglave të tjera muzikore, e duke thënë: «Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë». Atëherë, tempulli i Zotit u mbulua nga një re. Priftërinjtë nuk mundën të qëndronin më në tempull e të kryenin shërbesën për shkak të resë. Tempullin e Perëndisë e kishte mbushur lavdia e Zotit. Atëherë Solomoni tha: «Ti, o Zot, ke thënë se dëshiron të banosh në errësirë të thellë. Prandaj unë të ndërtova një tempull madhështor, një vend ku mund të banosh në amshim». Pastaj mbreti u kthye nga bashkësia e Izraelit dhe e bekoi. Mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte më këmbë. Solomoni tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, i cili përmbushi me fuqinë e tij premtimin që i bëri me gojën e vet Davidit, atit tim, kur tha: “Që nga dita kur e nxora Izraelin, popullin tim, nga toka e Egjiptit, nuk zgjodha asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një tempull për nder të emrit tim e nuk zgjodha askënd për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin. Por tani kam zgjedhur Jerusalemin për nder të emrit tim dhe Davidin për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin”. Davidi, ati im, e dëshironte me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Por Zoti i tha Davidit, atit tim: “Ti e dëshiron me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit tim dhe mirë bën. Tempullin për nder të emrit tim, veçse, nuk do ta ndërtosh ti, por biri yt që do të dalë prej ijëve të tua”. Zoti e përmbushi premtimin që bëri dhe, ashtu siç tha Zoti, në vend të Davidit, atit tim, në fronin e Izraelit u ula unë dhe ndërtova tempullin për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Aty caktova një vend për arkën, brenda së cilës ndodhet besëlidhja që bëri Zoti me popullin e Izraelit». Pastaj Solomoni qëndroi përpara altarit të Zotit në prani të gjithë bashkësisë së Izraelit dhe i ngriti duart drejt qiellit. Ai kishte ndërtuar një piedestal prej bronzi dhe e kishte vënë në mes të tremes. Piedestali ishte dy metra e gjysmë i gjatë, dy metra e gjysmë i gjerë dhe një metër e gjysmë i lartë. Solomoni u ngjit mbi piedestal, ra në gjunjë para bashkësisë së Izraelit, ngriti duart drejt qiellit, e tha: «O Zot, Perëndi i Izraelit, nuk ka tjetër perëndi si ti as në qiell, as mbi tokë, ti që i qëndron besnik besëlidhjes që ke bërë me shërbëtorët e tu, kur ata ecnin para teje me gjithë zemër. Ti i mbajte premtimet që i bëre atit tim, Davidit. Ato që premtove me gojën tënde, i përmbushe me dorën tënde, e ashtu po bën edhe sot. E tani, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim, kur i the: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit, nëse ata do të ndjekin ligjin tim ashtu si e ndoqe edhe ti”. Prandaj, o Zot, Perëndi i Izraelit, le të përmbushet premtimi që i bëre Davidit, atit tim. Por, a mund të banosh vërtet me njerëzit mbi tokë, o Perëndi? Ja, ty nuk të nxënë as qiejt e qiejve e aq më pak ky tempull që të ndërtova unë! Vëri, pra, vesh lutjes së shërbëtorit tënd dhe përgjërimit të tij, o Zot, Perëndia im! Dëgjoje thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt po të drejton! Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull ditë e natë, nga ky vend për të cilin the: “Aty do ta vendos emri tim!”. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! Dëgjoji përgjërimet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet prej këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena! Kur dikush mëkaton kundër të afërtit e i kërkohet që të betohet për pafajësinë e tij dhe ai vjen për t'u betuar përpara altarit tënd në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, vepro dhe gjykoji shërbëtorët e tu. Dënoje të paudhin, që e keqja t'i bjerë mbi kokë vetë atij, dhe shpalle të pafajshëm të pafajshmin e shpërbleje sipas drejtësisë së tij. Kur Izraeli, populli yt, të mposhtet para armikut, për shkak se do të ketë mëkatuar kundër teje, por më pas kthehet te ti, duke përlëvduar emrin tënd, duke u lutur e duke u përgjëruar para teje në këtë tempull, dëgjoje prej qiellit, falja mëkatin dhe ktheje në vendin që u ke dhënë atyre e paraardhësve të tyre. Kur të ndryhet qielli e të mos bjerë më shi, për shkak se izraelitët do të kenë mëkatuar kundër teje, por më pas luten drejt këtij vendi, duke përlëvduar emrin tënd e duke u penduar për mëkatet e tyre, për shkak të ndëshkimit tënd, dëgjoji prej qiellit e falua mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe popullit tënd, Izraelit, mësoju udhën e së mirës, nëpër të cilën duhet të ecin, dhe jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe për trashëgim popullit tënd. Nëse vendin e godet zia e bukës apo murtaja, nëse e ha vrugu, myku, karkaleci apo vemja, nëse e rrethon armiku nga të gjitha anët, nëse mbi të bien çfarëdolloj plagësh e sëmundjesh dhe nëse çdo njeri e mbarë populli yt i Izraelit të lutet e të përgjërohet, duke lartësuar duart drejt këtij tempulli, për shkak të plagës dhe dhimbjes, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon, fal e jepi secilit sipas sjelljes së tij, se ti ia njeh zemrën e vetëm ti e njeh zemrën e çdo njeriu. Kështu, të gjithë do të të druajnë e do të ecin udhëve të tua sa të jenë gjallë mbi tokën që ti u dhe paraardhësve të tyre. Edhe të huajin, që nuk i përket popullit tënd, Izraelit, nëse vjen nga një vend i largët për hir të emrit tënd, për dorën tënde të fuqishme e për krahun tënd të gjithëpushtetshëm, që të lutet drejt këtij tempulli, dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon dhe plotësoja të gjitha kërkesat që të bën. Kështu, të gjithë popujt e botës do ta njohin emrin tënd, do të të druajnë, siç të druan populli yt, Izraeli, dhe do ta dinë se emri yt thirret në këtë tempull që të ndërtova unë. Nëse populli yt del për të luftuar kundër armiqve, atje ku ta kesh urdhëruar ti, nëse të lutet, duke u drejtuar për nga qyteti që ke zgjedhur ti dhe për nga tempulli që kam ndërtuar unë për nder të emrit tënd, dëgjoja lutjen dhe përgjërimin nga qielli e bëj që të ngadhënjejë e drejta e tij. Nëse mëkatojnë kundër teje, se nuk ka njeri që nuk mëkaton, e ti, i zemëruar me ta, i dorëzon tek armiqtë, që i marrin robër e i degdisin në vende të largëta a të afërta, por mandej pendohen në vendin ku janë marrë robër, kthehen me gjithë zemër te ti e të përgjërohen duke thënë: “Kemi mëkatuar, kemi bërë ligësi e paudhësi”, nëse kthehen, pra, te ti me gjithë zemër e me gjithë shpirt, atje në vendin ku i kanë robëruar armiqtë, e të luten duke u drejtuar për nga vendi i paraardhësve të tyre, për nga qyteti yt i zgjedhur dhe për nga tempulli që kam ndërtuar për nder të emrit tënd, dëgjoji lutjet dhe përgjërimet e tyre prej qiellit, prej vendit ku banon, e bëj të ngadhënjejë e drejta e tyre. Fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje. E tani, o Perëndia im, hapi sytë dhe veshët e tu dëgjofshin me kujdes lutjen që bëhet në këtë vend. Ngrihu tani, o Zot Perëndi, eja në vendin e prehjes sate, ti dhe arka jote e fuqishme. Priftërinjtë e tu, o Zot, Perëndi, le të vishen me shpëtim, besnikët e tu le të gëzojnë mes të mirave. O Zot, Perëndi, mos e hidh poshtë të vajosurin tënd, kujto mirësinë tënde ndaj Davidit, shërbëtorit tënd». Solomoni mbaroi lutjen dhe nga qielli zbriti një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. Atëherë lavdia e Zotit mbushi tempullin. Priftërinjtë nuk mund të hynin më në tempullin e Zotit, se tempullin e kishte mbushur lavdia e Zotit. Kur izraelitët panë zjarrin që zbriti nga qielli dhe lavdinë e Zotit mbi tempullin e tij, ranë me fytyrë përdhe dhe përlëvduan Zotin, sepse është i mirë dhe mirësia e tij mbetet në amshim. Pastaj mbreti e mbarë populli kushtuan fli para Zotit. Mbreti Solomon i kushtoi Zotit njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Perëndisë. Priftërinjtë kryenin shërbesat dhe levitët i këndonin Zotit me veglat muzikore dhe me psalmet që kishte bërë mbreti David për të lavdëruar Zotin, sepse mirësia e tij mbetet në amshim. Ndërkaq priftërinjtë u binin trumbetave para tyre e mbarë Izraeli qëndronte në këmbë. Solomoni shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të Zotit. Atje kushtoi flitë e shkrumbimit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që kishte ndërtuar Solomoni, nuk i nxinte flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit. Në atë kohë Solomoni festoi shtatë ditë me mbarë bashkësinë e madhe të izraelitëve që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit. Ditën e tetë bënë një kuvend, sepse për shtatë ditë kishin kushtuar altarin e po për shtatë ditë kishin kremtuar. Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë Solomoni e nisi popullin nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të mirat që i kishte dhënë Zoti Davidit, Solomonit dhe Izraelit, popullit të vet. Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të Zotit, pallatin mbretëror dhe gjithçka që kishte për zemër të bënte në tempullin e Zotit dhe në pallatin mbretëror, Zoti iu shfaq natën e i tha: «E dëgjova lutjen tënde dhe e zgjodha këtë vend për vete, që të jetë tempull flijimesh. Nëse unë e mbyll qiellin e nuk bie më shi, nëse urdhëroj karkalecat të gllabërojnë vendin dhe dërgoj murtajën kundër popullit tim, dhe populli im, që mban emrin tim, përulet, lutet dhe më kërkon, duke u kthyer nga udha e mbrapshtë, unë do ta dëgjoj prej qiellit, do t'ia fal mëkatin dhe do t'ia shëroj tokën. Sytë e mi do të qëndrojnë hapur dhe veshët e mi do të dëgjojnë me kujdes çdo lutje që do të bëhet nga ky vend. Unë e zgjodha këtë tempull dhe e shenjtërova, që aty të banojë emri im në amshim. Sytë dhe zemra ime do të jenë përherë aty. Nëse ti ecën para meje siç eci ati yt, Davidi, nëse zbaton gjithçka të kam urdhëruar dhe nëse mban rregullat dhe vendimet e mia, do ta bëj fronin e mbretërisë sate të jetë i qëndrueshëm, ashtu siç i premtova Davidit, atit tënd, kur i thashë: “Mbi fronin e Izraelit do të jetë përherë një nga pasardhësit e tu”. Por nëse ju më braktisni, nuk i mbani rregullat e ligjet, që ju dhashë unë, dhe shkoni pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre, do t'ju zhbij nga faqja e dheut që ju kam dhënë. Edhe këtë tempull, që e shenjtërova për nder të emrit tim, do ta flak larg pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet përrallë e tallje për të gjithë popujt. Të gjithë ata që do të kalojnë pranë këtij tempulli të madhërishëm, do të tmerrohen e do të thonë: “Përse u soll kështu Zoti me këtë vend e me këtë tempull?”. E do t'u përgjigjen: “Sepse ata e lanë Zotin, Perëndinë e paraardhësve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe shkuan pas perëndive të tjerë, u përkulën para tyre e u shërbyen. Prandaj Zoti solli këtë fatkeqësi mbi ta”». Solomonit iu deshën njëzet vjet për të ndërtuar tempullin e Zotit dhe pallatin e vet mbretëror. Ai rindërtoi edhe qytetet që i kishte dhënë Hirami dhe në to vuri të banojnë izraelitë. Më pas Solomoni sulmoi Hamat Cobahun dhe e pushtoi. Ai ndërtoi Tadmorin në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet, ku grumbulloheshin tëmotjet, në krahinën e Hamatit. Solomoni rindërtoi Bet Horonin e sipërm dhe Bet Horonin e poshtëm dhe i bëri qytete të fortifikuara, të rrethuara me mure, me porta e me shula. Ai rindërtoi edhe Baalatin si edhe të gjitha qytetet, ku grumbullonte tëmotjet, të gjitha qytetet për qerret e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. Të gjithë ata që kishin mbetur prej hititëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, si dhe paraardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë që t'i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar si edhe sot e kësaj dite. Solomoni nuk bëri skllevër pune asnjë nga izraelitët, por i caktoi luftëtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të qerreve dhe të kalorësisë së tij. Krerët e atyre që mbikëqyrnin punët e Solomonit ishin dyqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për popullin. Solomoni e largoi bijën e faraonit nga qyteti i Davidit dhe e çoi për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, sepse tha: «Gruaja ime nuk do të banojë në pallatin mbretëror të Davidit, mbretit të Izraelit, sepse vendi ku ka ardhur arka e Zotit është i shenjtë». Atëherë Solomoni i kushtoi fli shkrumbimi Zotit mbi altarin e Zotit që kishte ndërtuar para portikut. Solomoni kushtonte flijime ditën e shtunë, kur kishte hënë të re dhe për tri të kremtet e mëdha të vitit, pra, të kremten e të ndormëve, të kremten e javëve dhe të kremten e kasolleve, sipas rregullave që kishte caktuar Moisiu për çdo ditë të caktuar. Sipas vendimeve të Davidit, atit të tij, Solomoni i ndau priftërinjtë në rangje sipas shërbesës që kryenin. Të njëjtën gjë bëri edhe me levitët, të cilët këndonin himne dhe shërbenin pranë priftërinjve për çdo ditë të caktuar. Në fund ndau edhe portarët e tempullit në rangje sipas portave, siç kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë. Nuk iu shmangën aspak rregullave të caktuara nga mbreti për priftërinjtë e për levitët dhe as për mbajtjen e thesarit. Kështu u zbatuan të gjitha planet e Solomonit, që nga dita e hedhjes së themeleve të tempullit të Zotit e deri në ditën e përfundimit të tij. Solomoni shkoi në Ecjon Geber dhe në Ejlat, që ndodhen në brigjet e detit, në tokën e Edomit. Hirami i dërgoi Solomonit disa nga shërbëtorët e tij detarë që e njihnin mirë detin. Ata shkuan bashkë me shërbëtorët e Solomonit në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar. Mbretëresha e Shebës kishte dëgjuar për famën e Solomonit dhe erdhi në Jerusalem për ta vënë në provë me pyetje të vështira. Kishte marrë me vete një shpurë të madhe, deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar e me gurë të çmuar dhe shkoi te Solomoni e bisedoi me të për gjithçka kishte në zemër. Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe asnjë nga pyetjet nuk ishte e panjohur për të, që të mos i jepte përgjigje. Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë urtinë e Solomonit, pallatin mbretëror që kishte ndërtuar, gjellët që shtroheshin në tryezën e tij, banesat e zyrtarëve të tij, fisnikërinë dhe veshjet e shërbëtorëve të tij, veshjet e kupëmbajtësve të tij dhe marshimin madhështor për t'u ngjitur në tempullin e Zotit, ajo mbeti pa fjalë. Atëherë ajo i tha mbretit: «Paskan qenë të vërteta fjalët që kisha dëgjuar në vendin tim për ty, për veprat e tua dhe për urtinë tënde. Nuk u besoja fjalëve derisa erdha dhe e pashë me sytë e mi. Po shoh se nuk më kishin treguar as për gjysmën e madhështisë. Urtia dhe pasuria jote është më e madhe nga ç'kisha dëgjuar unë. Lum njerëzit e tu e lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje e dëgjojnë urtinë tënde. Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të ka për zemër e që të ka vënë në fron si mbret i Zotit, Perëndisë tënd. Perëndia yt e do Izraelin e do ta mbrojë në amshim. Prandaj të caktoi mbret, që të gjykosh drejt e të bësh drejtësi». Ajo i dhuroi mbretit njëqind e njëzet monedha ari, erëra të mira me shumicë dhe gurë të çmuar. Në Izrael nuk solli më njeri aq erëra të mira sa i dha mbretëresha e Shebës mbretit Solomon. Për më tepër, shërbëtorët e Hiramit dhe të Solomonit, që kishin sjellë ar nga Ofiri, sollën prej andej edhe dru rrëshinorë me shumicë dhe gurë të çmuar. Me drutë rrëshinorë mbreti bëri trarë mbështetës për tempullin e Zotit dhe për pallatin mbretëror, qeste dhe harpa për këngëtarët. Drurë të tillë nuk u panë më në tokën e Judës. Mbreti Solomon i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo kishte dëshiruar e kërkuar, shumë më tepër nga ato që i kishte sjellë atij. Pastaj ajo u nis për t'u kthyer në vendin e saj bashkë me shërbëtorët. Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë ar, përveç arit që mblidhej nga tagrat për hyrjen e mallrave në vend, nga tregtia, nga të gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit, të cilët i sillnin ar dhe argjend Solomonit. Mbreti Solomon farkëtoi dyqind shqyte prej ari, me nga gjashtë kilogramë ar secila, dhe treqind shqyte të tjera, po prej ari, me nga një kilogram e gjysmë ar të derdhur mbi secilën. Shqytet mbreti i vuri në pallatin e quajtur «Pylli i Libanit». Mbreti Solomon bëri edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. Froni kishte gjashtë shkallë dhe nënkëmbëzën e kishte të punuar me ar. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe në anë të mbështetëseve gjendej nga një luan i gdhendur. Në gjashtë shkallët e fronit gjendeshin dymbëdhjetë luanë të gdhendur. Një fron i tillë nuk ishte ndërtuar në asnjë mbretëri. Të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Solomon, ishin prej ari. Edhe enët e pallatit «Pylli i Libanit» ishin prej ari të pastër. Asgjë nuk ishte prej argjendi. Në ditët e mbretit Solomon argjendi nuk kishte asnjë vlerë. Mbreti Solomon kishte në lundrim anijet e Tarshishit bashkë me shërbëtorët e Hiramit dhe një herë në tre vjet ato ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj. Kështu, mbreti Solomon u bë mbreti më i pasur e më i urtë ndër të gjithë mbretërit e tokës. Të gjithë mbretërit e tokës dëshironin ta shihnin Solomonin, për të dëgjuar urtinë që i kishte vënë Perëndia në zemër. Të gjithë i sillnin dhurata, sende argjendi e ari, veshje, armë, erëra të mira, kuaj e mushka dhe kjo ndodhte çdo vit. Solomoni kishte katër mijë stalla kuajsh dhe dymbëdhjetë mijë qerre lufte e kalorës. Disa prej tyre ai i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerët i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin qerret. Ai sundonte mbi të gjithë mbretërit që nga lumi i Eufratit deri në tokën e filistinëve e deri në kufijtë e Egjiptit. Në Jerusalem mbreti ia kishte dalë ta bënte argjendin të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, ishte me shumicë sa fiku egjiptian, që rritej në Shefelah. Kuajt Solomonit ia sillnin nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet. Veprat e tjera të Solomonit, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Profetit Natan, në Profecinë e Ahijahut, shilonitit, dhe në Vegimet e Idoit, atij që pa vegimet për Jeroboamin, birin e Nebatit. Solomoni mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem dhe qe mbreti i mbarë Izraelit. Solomoni vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi Rehoboami, i biri. Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta bërë mbret. Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur Jeroboami e mori vesh këtë, vendosi të kthehej nga Egjipti. Jeroboamit i çuan fjalë dhe e thirrën për t'u kthyer. Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson disi zgjedhën e punës së rëndë, që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua. Atëherë mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i kthej përgjigje këtij populli?». Ata i thanë: «Nëse ti sot sillesh me dashamirësi ndaj këtij populli dhe e kënaq me fjalët e mira që do t'u thuash, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të e që i rrinin pranë. Ai i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t'u lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit, që foli me ty e që të kërkoi t'ua lehtësosh zgjedhën, që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”». Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. Mbreti Rehoboam iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Unë do t'ju vë një zgjedhë më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur Perëndia, që të shkonte në vend fjala, që i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit. Kur mbarë Izraeli pa se mbreti nuk i kishte dëgjuar, i dërguan fjalë e i thanë: «Ç'lidhje kemi ne me Davidin e ç'pjesë kemi me të birin e Jeseut? Nëpër tendat tuaja, o izraelitë! Ndërsa ti kujdesu për shtëpinë tënde tani, o David!». Kështu, izraelitët shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Rehoboami mbretëroi mbi izraelitët që jetonin në qytetet e Judës. Mbreti Rehoboam dërgoi tek izraelitët e tjerë Hadoramin që ishte mbikëqyrësi i punës së detyruar, por ata e vranë me gurë e ai vdiq. Mbreti Rehoboam hipi me ngut në një karrocë dhe ia mbathi për në Jerusalem. Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit, siç është edhe sot. Me të mbërritur në Jerusalem, Rehoboami mblodhi njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur nga fisi i Judës dhe nga fisit i Benjaminit, për të sulmuar mbretërinë e Izraelit dhe për t'ia kthyer mbretërinë vetes. Atëherë Zoti i foli Shemajahut, njeriut të Perëndisë, e i tha: «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit dhe mbretit të Judës, të gjithë izraelitëve të fisit të Judës e të Benjaminit, se kështu thotë Zoti: “Mos dilni për të luftuar kundër vëllezërve tuaj, izraelitëve. Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja, sepse kjo gjë vjen nga unë”». Ata e dëgjuan fjalën e Zotit, u kthyen pas, e nuk e sulmuan Jeroboamin. Rehoboami banoi në Jerusalem dhe fortifikoi disa nga qytetet e Judës. Qytetet që rindërtoi ishin Betlehemi, Etami, Tekoaja, Betcuri, Sokohu, Adulami, Gati, Mareshahu, Zifi, Adoraimi, Lakishi, Azekahu, Corahu, Ajaloni dhe Hebroni. Këto qytete të fortifikuara ndodheshin në krahinën e Judës dhe të Benjaminit. Rehoboami përforcoi muret e këtyre qyteteve, caktoi qeveritarë dhe i pajisi me ushqime, me vaj e me verë. Në çdo qytet të fortifikuar Rehoboami vendosi armatime shumë të forta shqytesh e heshtash. Kështu, ai sundoi mbi Judën e mbi Benjaminin. Priftërinjtë dhe levitët, që banonin në mbarë Izraelin, i lanë trojet tyre dhe iu bashkuan Rehoboamit. Levitët i lanë kullotat dhe pronat e u vendosën në Judë dhe në Jerusalem, sepse Jeroboami dhe bijtë e tij i kishin përjashtuar prej shërbesës priftërore për Zotin. Ai i kishte caktuar vetë priftërinjtë për faltoret në vende të larta, për idhujt në trajtë cjapi e dashi, që kishte bërë. Pas levitëve, të gjithë ata nga fiset e Izraelit që kishin vendosur me gjithë zemër t'i qëndronin besnikë Zotit, Perëndisë së Izraelit, shkuan në Jerusalem për t'i kushtuar fli Zotit, Perëndisë së etërve të tyre. Kështu, për tre vjet ata e bënë më të qëndrueshme mbretërinë e Judës dhe i dhanë forcë Rehoboamit, birit të Solomonit, sepse për tre vjet Rehoboami u soll si Davidi dhe si Solomoni. Rehoboami mori për grua Mahalatën, të bijën e Jerimotit, të birit të Davidit, dhe të Abihajlës, të bijës së Eliabit, të birit të Jeseut. Mahalata i lindi tre bij: Jeushin, Shemarjahun dhe Zahamin. Pas Mahalatës, Rehoboami u martua edhe me Makën, bijën e Absalomit. Ajo i lindi Abijahun, Atajin, Zizain dhe Shelomotin. Rehoboami e deshi Makën, bijën e Absalomit, më shumë se të gjitha gratë dhe shemrat që kishte marrë. Ai u martua me tetëmbëdhjetë gra, mori gjashtëdhjetë shemra dhe i lindën njëzet e tetë djem e gjashtëdhjetë vajza. Rehoboami i dha Abijahut, birit të Makahut, vendin e parë dhe e caktoi si udhëheqës të vëllezërve të tij, sepse synonte ta bënte mbret. Rehoboami u soll me zgjuarsi dhe i shpërndau bijtë e tij nëpër të gjitha krahinat e Judës dhe të Benjaminit dhe nëpër të gjitha qytetet e fortifikuara. Ai u dha ushqime me shumicë dhe i martoi me shumë gra. Kur mbretëria e Rehoboamit u bë më e fortë dhe më e qëndrueshme, ai e mbarë Izraeli e braktisën ligjin e Zotit. Për shkak të mëkateve të tyre kundër Zotit, në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit sulmoi Jerusalemin me një mijë e dyqind qerre lufte, gjashtëdhjetë mijë kalorës dhe me luftëtarë të panumërt libianë, sukitë dhe kushitë, që kishin ardhur bashkë me të nga Egjipti. Shishaku pushtoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe arriti deri në Jerusalem. Atëherë profeti Shemajah shkoi te Rehoboami dhe te prijësit e Judës, që ishin mbledhur në Jerusalem për shkak të sulmit të Shishakut, e u tha: «Kështu thotë Zoti: “Ju më latë mua, prandaj edhe unë ju lashë në duart e Shishakut”». Atëherë prijësit e Izraelit dhe mbreti u përulën e thanë: « Zoti është i drejtë». Kur Zoti e pa përulësinë e tyre, i foli Shemajahut e i tha: «Meqenëse u përulën, nuk do t'i shkatërroj. Pas pak do t'u sjell shpëtimin dhe nuk do ta derdh zemërimin tim mbi Jerusalemin përmes Shishakut. Por do të bëhen skllevër të Shishakut, që ta kuptojnë ç'do të thotë të më shërbejnë mua e ç'do të thotë t'u shërbejnë mbretërve të tokës». Shishaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin dhe plaçkiti thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e pallatit mbretëror e gjithçka tjetër. Ai plaçkiti edhe shqytet e arta që kishte punuar Solomoni. Në vend të tyre mbreti Rehoboam bëri shqyte bronzi dhe ua dorëzoi krerëve të ushtarëve, që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. Sa herë që mbreti shkonte në tempullin e Zotit, ushtarët vinin e merrnin shqytet dhe i kthenin sërish në vendin ku mbaheshin armët. Meqenëse mbreti e përuli veten, Zoti e largoi zemërimin prej tij dhe nuk e shkatërroi plotësisht. Për më tepër, në Judë pati edhe gjëra të mira. Mbreti Rehoboam u mëkëmb sërish në Jerusalem dhe vazhdoi të mbretëronte. Rehoboami ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi për shtatëmbëdhjetë vjet në Jerusalem, në qytetin që vetë Zoti e kishte zgjedhur mes fiseve të Izraelit për të vendosur emrin e tij. E ëma e Rehoboamit quhej Naamë dhe ishte amonite. Rehoboami bëri çka është keq, sepse nuk u dha pas Zotit me gjithë zemër. Bëmat e hershme dhe të vonshme të Rehoboamit janë të shkruara në Kronikat e profetit Shemajah dhe në Shënimet e Breznive të Idoit, atij që shihte vegime. Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati përherë luftë. Rehoboami u preh me paraardhësit e tij dhe e varros në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Abijahu. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Jeroboamit, Abijahu u bë mbret i Judës dhe mbretëroi në Jerusalem për tre vjet. Nëna e tij ishte bija e Urielit nga Gibeahu dhe quhej Mikajë. Mes Abijahut dhe Jeroboamit pati luftë. Abijahu u nis për luftë me një ushtri me katërqind mijë luftëtarë të zgjedhur, ndërsa Jeroboami rreshtoi përballë tij tetëqind mijë burra, trima të fortë e të zgjedhur. Abijahu u ngjit në majë të malit të Cemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, e tha: «Dëgjomë, o Jeroboam e mbarë Izraeli! A nuk e dini se Zoti, Perëndia i Izraelit, me një besëlidhje të pathyeshme si kripa, i ka dhënë Davidit dhe pasardhësve të tij të drejtën për të mbretëruar përgjithmonë në Izrael? Por Jeroboami, biri i Nebatit dhe shërbëtor i Solomonit, birit të Davidit, doli e ngriti krye kundër zotërisë së vet. Rreth tij u mblodhën njerëz të poshtër e pa vlerë, që dolën më të fortë se Rehoboami, biri i Solomonit, sepse Rehoboami ishte ende i ri në atë kohë e pa përvojë dhe nuk arriti t'u bënte ballë. E tani mendokeni se mund t'i bëni ballë mbretërisë së Zotit, që është në duart e pasardhësve të Davidit, sepse jeni të shumtë në numër e me vete keni marrë edhe viçat e artë që Jeroboami jua bëri për perëndi. A nuk i dëbuat ju priftërinjtë e Zotit, pasardhësit e Aronit, dhe levitët, e mandej caktuat vetë priftërinj, siç bëjnë popujt e tjerë të tokës? Kushdo që vjen me një mëzat për dore e me shtatë desh, bëhet prift idhujsh që nuk janë perëndi. Ndërsa ne kemi për Perëndi Zotin dhe nuk e kemi braktisur. Priftërinjtë, që i shërbejnë Zotit, janë pasardhës të Aronit dhe levitët ende kryejnë shërbesën e tyre. Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i kushtojnë Zotit fli shkrumbimi dhe temjan erëmirë, paraqesin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër dhe po çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë bashkë me llambat e tij. Ne e kryejmë ende me besnikëri shërbesën e Zotit, Perëndisë tonë, që ju e braktisët. Vetë Perëndia është me ne e ai na prin. Priftërinjtë po u bien borive si shenjë kushtrimi kundër jush, o bijtë e Izraelit! Mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë së etërve tuaj, sepse nuk do t'ia dilni!». Ndërkohë Jeroboami kishte ngritur një kurth për t'i sulmuar nga pas luftëtarët e Judës. Kështu, luftëtarët e Izraelit ishin përballë luftëtarëve të Judës, por edhe në kurthin që u ishte ngritur pas shpine. Kur luftëtarët e Judës u kthyen e panë se po sulmoheshin edhe nga para, edhe nga pas, i thirrën në ndihmë Zotit, ndërsa priftërinjtë filluan t'u bien borive. Luftëtarët e Judës lëshuan kushtrimin e, teksa ata lëshuan kushtrimin, Perëndia e goditi Jeroboamin e mbarë Izraelin para syve të Abijahut e Judës. Izraelitët ua mbathën para luftëtarëve të Judës dhe Perëndia i dorëzoi tek ata. Abijahu dhe luftëtarët e tij vranë me shpatë shumë izraelitë, prej të cilëve mbetën të vrarë pesëqind mijë burra të zgjedhur. Kështu, në atë kohë izraelitët u poshtëruan, ndërsa judenjtë u bënë më të fortë, sepse e kishin vënë shpresën te Zoti, Perëndia i etërve të tyre. Abijahu iu vu pas Jeroboamit dhe pushtoi disa nga qytetet e tij, Betelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efronin me fshatrat përreth. Gjatë mbretërimit të Abijahut, Jeroboami nuk e fitoi më kurrë fuqinë që kishte më parë. Zoti e goditi Jeroboamin e ai vdiq. Abijahu, përkundrazi, bëhej gjithnjë e më i fortë. Ai u martua me katërmbëdhjetë gra dhe i lindën njëzet e dy djem e gjashtëmbëdhjetë vajza. Bëmat e tjera të Abijahut, veprat dhe ligjëratat e tij janë të shkruara në Shënimet e profetit Ido. Abijahu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Asai. Gjatë mbretërimit të Asait në vend pati paqe për dhjetë vjet. Asai bëri çka ishte e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë së tij. Ai i zhduku altarët e perëndive të huaj bashkë me faltoret në vende të larta, shkatërroi përmendoret e shenjta dhe copëtoi shtyllat e Asherave. Asai u kërkoi banorëve të Judës të jepeshin pas Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, e të zbatonin ligjin dhe urdhërimet e tij. Shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e temjanit në të gjitha qytetet Judës. Asai mbretëroi i qetë. Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë dhe vendi jetoi në qetësi. Gjatë gjithë mbretërimit të tij nuk pati luftë, sepse Zoti i kishte dhënë paqe. Asai i tha popullit të Judës: «Le t'i rindërtojmë këto qytete e le t'i rrethojmë me mure, me kulla, me porta e me shula. Tani vendi na përket neve, sepse u dhamë pas Zotit, Perëndisë tonë. Meqë u dhamë pas tij, ai na dha paqe nga të gjitha anët». Ata i rindërtuan qytetet e patën begati. Asai kishte një ushtri prej treqind mijë burrash nga fisi i Judës, të armatosur me shqyte e me heshta, dhe dyqind e tetëdhjetë mijë burra nga fisi i Benjaminit, të armatosur me shqyte e me harqe. Të gjithë ishin luftëtarë trima. Zerahu nga Kushi e sulmoi Judën me një ushtri prej një milion luftëtarësh e prej treqind qerresh lufte. Ai mbërriti deri në Mareshah. Asai doli për t'u ndeshur me të dhe e rreshtoi ushtrinë për luftë në luginën e Cefatahut, pranë Mareshahut. Atëherë Asai i thirri për ndihmë Zotit, Perëndisë së tij, e tha: «O Zot, për ty nuk ka rëndësi nëse ata që ndihmon janë shumë apo pak. Eja të na ndihmosh, o Zot, Perëndia ynë, sepse te ti e kemi shpresën dhe në emrin tënd kemi dalë të luftojmë kundër kësaj turme kaq të madhe. O Zot, ti je Perëndia ynë. Mos lejo të ngadhënjejë ndokush mbi ty!». Zoti i goditi kushitët para syve të Asait e të Judës dhe kushitët ia mbathën. Asai dhe luftëtarët që ishin me të i ndoqën deri në Gerar. Kushitët u goditën rëndë deri në shfarosje, sepse u goditën nga vetë Zoti dhe nga ushtria e tij. Luftëtarët e Judës morën shumë plaçkë lufte atje. Banorët e të gjitha qyteteve përreth Gerarit i kishte zënë tmerri i Zotit. Luftëtarët e Judës i sulmuan e i plaçkitën dhe morën me vete shumë plaçkë lufte. Ata sulmuan edhe vathët e bagëtive dhe morën me vete shumë dele e deve. Mandej u kthyen në Jerusalem. Shpirti i Perëndisë erdhi mbi Azarjahun, birin e Odedit. Ai i doli përpara Asait e i tha: «Dëgjomë, o Asa e mbarë ti, o Judë dhe Benjamin! Zoti është me ty kur edhe ti je me të. Nëse e kërkoni, do ta gjeni, por, nëse e braktisni, edhe ai do t'ju braktisë. Për shumë kohë izraelitët mbetën pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj, që t'i mësonin, dhe pa ligjin. Por kur u kthyen te Zoti, Perëndia i Izraelit, për shkak të fatkeqësive dhe e kërkuan, ai iu gjend. Në atë kohë nuk kishte paqe për ata që udhëtonin, sepse kishte shumë trazira mes banorëve të vendit. Një komb ngrihej kundër një kombi tjetër e një qytet sulmonte qytetin tjetër, sepse Perëndia i godiste me fatkeqësi të ndryshme. Por tani, jini të fortë e mos t'ju këputen krahët, sepse vepra juaj do të shpërblehet». Kur Asai i dëgjoi këto fjalë e këtë profeci të profetit Oded, mori forcë dhe i hoqi idhujt e neveritshëm nga gjithë vendi i Judës dhe i Benjaminit, si edhe nga qytetet që kishte pushtuar në malësinë e Efraimit. Ai ndreqi edhe altarin e Zotit që ndodhej përpara portikut të Zotit. Mandej Asai mblodhi bashkë të gjithë Judën dhe Benjaminin, si edhe të gjithë ata nga fiset e Efraimit, Manaseut dhe Simeonit, që ishin bashkuar me të, sepse shumë banorë të Izraelit ishin bashkuar me Asain, kur kishin parë se Zoti, Perëndia i tij, ishte me të. Ata u mblodhën në Jerusalem në muajin e tretë të vitit të pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Asait. Atë ditë i kushtuan Zotit fli prej presë së luftës, që kishin marrë me vete, shtatëqind dema dhe shtatë mijë dele. Bënë edhe një besëlidhje për ta kërkuar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Kushdo që nuk do t'i shërbente Zotit, Perëndisë së Izraelit, i madh a i vogël, burrë a grua, do të vritej. Mandej u betuan para Zotit me zë të lartë, me brohoritje gazmore dhe me tinguj borish e brirësh. I gjithë populli i Judës u gëzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjithë zemër, e kishin kërkuar Zotin me gjithë forcat e tyre dhe e kishin gjetur e Zoti u kishte dhënë paqe nga të gjitha anët. Asai ia hoqi të ëmës, Makës, vendin e nënës mbretëreshë, për shkak se ajo kishte bërë një shtyllë të Asherasë së pështirë. Ai e copëtoi idhullin, e thërrmoi dhe e dogji në luginën e Kidronit. Por faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan në Izrael, ndonëse zemra e Asait mbeti gjithmonë e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit. Asai solli në tempullin e Perëndisë sendet dhe enët e shenjta prej argjendi e prej ari që ishin kushtuar nga i ati e nga ai vetë. Deri në vitin e tridhjetë e pestë të mbretërimit të Asait nuk pati luftë. Në vitin e tridhjetë e gjashtë të mbretërimit të Asait, Bashai, mbreti i Izraelit, u nis për të sulmuar Judën dhe fortifikoi Ramahun, për të penguar lëvizjen e kujtdo që shkonte apo kthehej nga Asai, mbreti i Judës. Atëherë Asai mori argjend dhe ar nga thesaret e tempullit të Zotit dhe të pallatit mbretëror, ia dërgoi Ben Hadadit, mbretit të Aramit, i cili banonte në Damask, e i tha: «Le të bëjmë një besëlidhje mes nesh, ashtu siç kishin bërë im atë dhe yt atë. Për këtë të kam dërguar argjend dhe ar. Prishe, pra, besëlidhjen që ke bërë me Bashain, mbretin e Izraelit, që të tërhiqet nga trojet e mia». Ben Hadadi ia dëgjoi fjalën mbretit Asa dhe dërgoi krerët e ushtrisë së tij për të sulmuar qytetet e Izraelit. Ata pushtuan Ijonin, Danin, Abel Maimin dhe të gjitha qytetet ku grumbulloheshin tëmotjet e Neftaliut. Sapo mori vesh lajmin, Bashai e ndali ndërtimin e Ramahut dhe urdhëroi ndalimin e punimeve. Atëherë mbreti Asa thirri të gjithë banorët e Judës për të marrë nga Ramahu gurët dhe drurët, që kishte përdorur Bashai, dhe me to fortifikoi Gebën dhe Micpahun. Në atë kohë, Hananiu, vegimtari, shkoi tek Asai, mbreti i Judës, e i tha: «Meqenëse kërkove mbështetje nga mbreti i Aramit dhe jo nga Zoti, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Aramit ka për të të ikur nga duart. A nuk kishin edhe kushitët me libianët një ushtri të madhe, me qerre lufte e me kalorës të panumërt? E megjithatë, Zoti t'i dorëzoi, sepse kërkove mbështetjen e tij. Sytë e Zotit vështrojnë mbarë tokën dhe ai u jep fuqi atyre që i përkushtohen me gjithë zemër. Këtë herë ke vepruar si i marrë dhe për këtë, që tani e tutje, do të kesh luftra». Asai u zemërua shumë me vegimtarin dhe e futi në burg nga zemërimi për ato që i tha. Po në atë kohë, Asai u soll ashpër edhe me një pjesë të popullit. Të gjitha bëmat e tjera të Asait, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës e të Izraelit. Në vitin e tridhjetë e nëntë të mbretërimit të tij, Asai u sëmur nga këmbët. Megjithëse sëmundja ishte shumë e rëndë, ai nuk kërkoi ndihmën e Zotit, por të mjekëve. Asai u preh me paraardhësit e tij dhe vdiq në vitin e dyzetë të mbretërimit të tij. E varrosën në varrin që kishte latuar vetë në qytetin e Davidit dhe e vunë mbi një shtrojë të mbushur me aroma dhe me vajra erëmirë të përziera me shumë mjeshtëri. Për nder të tij, gjatë varrimit ndezën zjarre të mëdha. Pas Asait mbretëroi i biri, Joshafati. Joshafati u bë edhe më i fortë kundër Izraelit. Ai vendosi ushtri në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe vuri njësi ushtarake anekënd vendit të Judës, si edhe në qytetet e Efraimit, që kishte pushtuar i ati, Asai. Zoti ishte me Joshafatin, sepse ai u soll si Davidi, paraardhësi i tij, në fillimet e mbretërimit të tij, dhe nuk u dha pas Baalëve. Ai i shërbeu Perëndisë së atit të tij dhe u soll sipas urdhërimeve të tij e jo sipas veprave të Izraelit. Zoti e bëri mbretërimin e Joshafatit të qëndrueshëm dhe i gjithë populli i Judës i solli dhurata. Kështu, Joshafati fitoi shumë lavdi e pasuri. Ai eci me gjithë zemër sipas udhëve të Zotit dhe i hoqi përsëri nga Juda faltoret në vende të larta dhe shtyllat e Asherasë. Në vitin e tretë të mbretërimit të tij, Joshafati dërgoi zyrtarët e tij, Benhailin, Abdinë, Zakarinë, Netanelin dhe Mikahun për të mësuar popullin e qyteteve të Judës. Bashkë me ta dërgoi edhe levitët Shemajah, Netanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramot, Jonatan, Adonjah, Tobi dhe Tob Adonjah, si edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram. Ata shkuan në të gjitha qytetet e Judës për të mësuar popullin dhe morën me vete librin e ligjit të Zotit. Frika e Zotit i pushtoi të gjitha mbretëritë e vendeve në kufi me Judën dhe askush nuk u ngrit për të luftuar kundër Joshafatit. Disa filistinë i sollën Joshafatit dhurata dhe tagra argjendi, ndërsa arabët i sollën shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjep nga bagëtitë e tyre. Joshafati bëhej gjithnjë e më i fortë. Ai ndërtoi fortesa në Judë dhe qytetet ku grumbulloheshin tëmotjet. Në qytetet e Judës ai kishte grumbulluar tëmotje të shumta dhe në Jerusalem mbante luftëtarë të fortë e trima. Luftëtarët ishin ndarë në këto njësi sipas familjeve të Judës: nga fisi i Judës kryemijësi Adnah u printe treqind mijë luftëtarëve trima. Mandej vinin Jehohanani, që u printe dyqind e tetëdhjetë mijë luftëtarëve, dhe Amasjahu, biri i Zikriut, që i ishte përkushtuar Zotit e që u printe dyqind mijë luftëtarëve trima. Prej fisit të Benjaminit ishte luftëtari trim Eliadai, i cili u printe dyqind mijë luftëtarëve të armatosur me harqe e me shqyte, dhe Jehozabadi që u printe njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarëve të armatosur. Të gjithë këta ishin në shërbim të mbretit, pa përfshirë luftëtarët që mbreti kishte caktuar në qytetet e fortifikuara anembanë Judës. Joshafati pati shumë pasuri dhe lavdi. Ai lidhi krushqi me Ahabin. Pas shumë vitesh Joshafati shkoi për ta parë Ahabin në Samari dhe Ahabi theri shumë dele e bagëti për nder të tij e të shpurës së tij. Ahabi ia mbushi mendjen Joshafatit, që të shkonte bashkë me të për të sulmuar Ramotin e Gileadit. Atëherë Ahabi, mbreti i Izraelit, i tha Joshafatit, mbretit të Judës: «A do të vish me mua të luftojmë për Ramotin e Gileadit?». Ai iu përgjigj: «Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe unë do të jem me ty në betejë». Joshafati i tha Ahabit, mbretit të Izraelit: «Të lutem, veçse, këshillohu që sot me Zotin ». Atëherë mbreti i Izraelit mblodhi profetët, katërqind në numër, e u tha: «A të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Profetët i thanë: «Shko, se Perëndia ka për t'ia dorëzuar mbretit». Por Joshafati pyeti: «A ka ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?». Mbreti i Izraelit iu përgjigj Joshafatit: «Ka edhe një profet tjetër, nëpërmjet të cilit mund të këshillohemi me Zotin. Është Mikahu, biri i Imlahut, por unë e urrej, se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq». Joshafati i tha: «Mos fol ashtu, o mbret!». Atëherë mbreti i Izraelit thirri një nga zyrtarët e i tha: «Më sill shpejt Mikahun, birin e Imlahut!». Ahabi, mbreti i Izraelit, dhe Joshafati, mbreti i Judës, ishin ulur te sheshi, që ndodhet pranë portave të qytetit të Samarisë, secili në fronin e vet, veshur me stoli mbretërore, ndërsa profetët profetizonin para tyre. Sedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë hekuri e tha: «Kështu thotë Zoti: me këta brirë do ta tejshposh Aramin derisa ta shkatërrosh krejt». Po ashtu profetizuan edhe profetët e tjerë e thanë: «Shko në Ramot të Gileadit e të priftë e mbara! Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit». Lajmëtari, që kishte shkuar për të thirrur Mikahun, i tha: «Të gjithë profetët kanë profetizuar njëzëri mbarësi për mbretin. Le të jetë edhe fjala jote e mirë si fjala e tyre e të profetizosh mbarësi». Mikahu i tha: «Pasha Zotin, do të them ç'të më thotë Perëndia im». Mikahu shkoi te mbreti e mbreti i tha: «Mikah, a të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Mikahu u përgjigj: «Shkoni e ju priftë e mbara! Zoti do t'jua dorëzojë qytetin». Por mbreti i tha: «Sa herë duhet të të përbej, që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?». Atëherë Mikahu i tha: «Pashë mbarë Izraelin të hapërdarë nëpër male si delet pa bari. E Zoti thotë: nuk kanë më prijës. Le të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në paqe». Atëherë mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «A nuk të thashë se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq?». Mikahu i tha: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit: pashë Zotin të ulur në fron dhe tërë ushtritë qiellore të engjëjve që qëndronin në të djathtë e në të majtë të tij. E atëherë Zoti tha: “Kush do ta mashtrojë Ahabin, mbretin e Izraelit, që të shkojë e të sulmojë Ramotin e Gileadit?”. Njëri thoshte ky e tjetri thoshte ai. Atëherë doli një shpirt, u paraqit para Zotit e tha: “Do ta mashtroj unë”. Zoti e pyeti: “Si?”. Shpirti tha: “Do të shkoj e do t'i bëj të gjithë profetët e tij të thonë gënjeshtra”. Atëherë Zoti i tha: “Po, kështu do ta mashtrosh vërtet. Shko e bëj siç the!”. Kështu, pra, Zoti ka vënë një shpirt gënjeshtar në gojën e të gjithë profetëve të tu, sepse në të vërtetë Zoti ka folur për fatkeqësi kundër teje». Atëherë Sedekia, biri i Kenanahut, iu afrua Mikahut, i ra me shpullë në faqe e i tha: «Mos u largua Shpirti i Zotit prej meje, që të flasë përmes teje?». Mikahu iu përgjigj: «Do ta marrësh vesh ditën që do të vraposh për t'u fshehur në dhomën më të thellë të shtëpisë». Atëherë mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritari i qytetit, dhe te Joashi, djali i mbretit, e thuajuni ta fusin në burg me urdhër të mbretit dhe ta ushqejnë vetëm me pak bukë e ujë, derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë». Mikahu i tha: «Nëse vërtet kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje». E shtoi: «Mbani vesh të gjithë ju, o njerëz!». Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, shkuan për të sulmuar Ramotin e Gileadit. Mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «Unë do të ndërroj rrobat për të mos u njohur e do të shkoj për të luftuar, ndërsa ti rri veshur me rrobat e tua mbretërore». Mbreti i Izraelit ndërroi rrobat për të mos u njohur e ata shkuan për të luftuar. Mbreti i Aramit u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të qerreve të luftës: «Mos sulmoni as luftëtarët e thjeshtë e as krerët e tyre, por vetëm mbretin e Izraelit». Kur prijësit e qerreve panë karrocën e Joshafatit, menduan se ishte mbreti i Izraelit, prandaj dhe iu vërsulën. Joshafati ia dha ulërimës dhe Zoti e ndihmoi. Perëndia i largoi prej tij ata që e ndiqnin. Prijësit e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit dhe hoqën dorë nga ndjekja. Por një luftëtar ndehu rastësisht harkun dhe shigjeta goditi mbretin e Izraelit mes brezit e parzmores. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: «Kthehu e më nxirr nga beteja, se jam plagosur». Atë ditë beteja qe shumë e ashpër. Mbretin e Izraelit e mbështetën mbi karrocën e tij, ballë për ballë me luftëtarët e Aramit, deri në mbrëmje. Kur po perëndonte dielli, mbreti vdiq. Joshafati, mbreti i Judës, u kthye shëndoshë e mirë në shtëpinë e vet në Jerusalem. Jehu, vegimtari, biri i Hananiut, i doli përpara mbretit Joshafat e i tha: «Përse shkove të ndihmosh të paudhin? Përse deshe ata që urrejnë Zotin? Për këtë që bëre, zemërimi i Zotit do të bjerë mbi ty. E megjithatë, ti ke bërë edhe vepra të mira, sepse i hoqe prej vendit shtyllat e Asherasë dhe je përpjekur me gjithë zemër t'i përkushtohesh Perëndisë». Joshafati banonte në Jerusalem. Pastaj shkoi përsëri mes popullit, nga Bersheba e deri në malësinë e Efraimit, dhe e ktheu popullin te Zoti, Perëndia i etërve të tyre. Ai caktoi gjyqtarë anembanë vendit, në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe në çdo qytet e u tha: «Kujdes si veproni. Nuk do të gjykoni në emër të njerëzve, por në emër të Zotit, i cili do të jetë me ju kur të merrni vendimet. Kini frikën e Zotit dhe bëjeni detyrën me kujdes, sepse te Zoti, Perëndia ynë, nuk ka as padrejtësi, as anësi e as mitëmarrje». Joshafati caktoi edhe në Jerusalem disa levitë, priftërinj dhe krerë të familjeve të Izraelit, që të gjykonin në emër të Zotit mosmarrëveshjet e banorëve të Jerusalemit. Ai u dha këtë urdhër: «Veproni me drojën e Zotit, me besnikëri e me zemër të çiltër. Për çdo mosmarrëveshje, që do t'ju parashtrohet nga vëllezërit tuaj, që banojnë nëpër qytete, çështje gjaku, çështje ligji, urdhërimesh, rregullash apo vendimesh, do t'u kujtoni të mos bëhen fajtorë para Zotit që zemërimi i tij të mos bjerë mbi ju e mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu e do të jeni të pafajshëm. Kryeprifti Amarjah do të jetë mbikëqyrësi juaj për çdo çështje që ka lidhje me Zotin, ndërsa Zebadjahu, biri i Ishmaelit, që është prijësi i shtëpisë së Judës, do të jetë mbikëqyrësi për çdo çështje që ka lidhje me mbretin. Levitët do të jenë në shërbimin tuaj. Veproni me guxim dhe Zoti qoftë me atë që bën të mirën». Pas këtyre ngjarjeve, moabitët, amonitët dhe disa maonitë u bënë bashkë për të luftuar kundër Joshafatit. Lajmëtarët erdhën e i thanë Joshafatit: «Po vjen të të sulmojë një ushtri shumë e madhe nga përtej detit, nga Arami. Tani ndodhen në Hacecon Tamar që është En Gedi». I tronditur nga frika, Joshafati filloi t'i lutet Zotit dhe shpalli agjërimin në mbarë Judën. Banorët e Judës u mblodhën për t'iu përgjëruar Zotit, madje për t'iu përgjëruar Zotit erdhën nga të gjitha qytetet e Judës. Atëherë Joshafati u ngrit në këmbë para bashkësisë së Judës e të Jerusalemit në tempullin e Zotit, para tremes së re, e tha: «O Zot, Perëndi i etërve tanë! Ti je Perëndia i qiejve dhe ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve. Në dorën tënde është forca dhe pushteti e askush nuk mund të të bëjë ballë. Ti, o Perëndia ynë, i dëbove banorët e kësaj toke para popullit tënd, Izraelit, për t'ia dhënë përgjithmonë pasardhësve të Abrahamit, mikut tënd? Ata banuan në këtë tokë e ndërtuan një shenjtërore për nder të emrit tënd e thanë: Nëse na zë ndonjë fatkeqësi, luftë gjakatare, murtajë apo uri, do të qëndrojmë para këtij tempulli në praninë tënde, sepse në këtë tempull banon vetë emri yt, do të të thërrasim për ndihmë në kohë vështirësish dhe ti do të na dëgjosh e do të na shpëtosh. Ja, tani po na sulmojnë amonitët, moabitët dhe malësorët e Seirit, nëpër tokat e të cilëve nuk e lejove Izraelin të kalojë, kur doli nga vendi i Egjiptit. Izraeli iu shmang trojeve të tyre e nuk i shfarosi. E tani, ata po na e shpërblejnë duke na sulmuar e duke dashur të na dëbojnë prej trashëgimisë që na dhe ti. O Perëndia ynë, a do t'i lësh pa i ndëshkuar? Ne nuk kemi aq forcë sa t'i bëjmë ballë gjithë kësaj morie, që po vjen të na sulmojë, e ngaqë nuk dimë çfarë të bëjmë, i kemi sytë vetëm nga ti». Tërë banorët e Judës, me foshnja, gra e fëmijë, qëndronin në këmbë para Zotit. Atëherë, atje në mes të bashkësisë, Shpirti i Zotit erdhi mbi Jahazielin, birin e Zakarisë, të birit të Benajahut, të birit të Jejelit, të birit të Matanjahut, një levit nga pasardhësit e Asafit, e ai tha: «Dëgjoni me kujdes, o banorë të Judës e të Jerusalemit dhe ti, o mbret Joshafat! Kështu ju thotë Zoti: “Mos kini frikë e mos u tmerroni nga kjo hordhi ushtarësh, se nuk do të luftoni ju, por Perëndia. Nesër hidhuni në sulm kundër tyre. Ata do të ngjiten përpjetës së Cicit e ju do t'i prisni në skajin e luginës që ndodhet kundruall shkretëtirës së Jeruelit. Nuk do të jeni ju ata që do të luftoni. Ju do të qëndroni atje në këmbë e do të shikoni sesi Zoti, që është me ju, do të korrë fitore. O Judë dhe ti, o Jerusalem, mos kini frikë e mos u tmerroni. Shkoni nesër për t'u ndeshur me ta e Zoti do të jetë me ju”». Atëherë Joshafati u përkul deri në tokë e mbarë populli i Judës e i Jerusalemit ranë përmbys para Zotit dhe e adhuruan. Levitët, që ishin nga familjet e kohatitëve dhe të korahitëve, u ngritën për të përlëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit, me zë të lartë. Të nesërmen në mëngjes u ngritën herët dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoasë. Teksa po niseshin, Joshafati u ndal e u tha: «Dëgjomëni, o banorë të Judës dhe të Jerusalemit! Kini besim te Zoti, Perëndia juaj, e do të dilni të fortë. Kini besim te profetët e tij e do të dilni fitimtarë!». Joshafati u këshillua me popullin dhe i vuri këngëtarët e Zotit, që ishin veshur me stoli të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë, duke kënduar: «Përlëvdojeni Zotin, se mirësia e tij mbetet përjetë». Kur filluan të këndojnë himne përlëvdimi, Zoti ngriti prita kundër amonitëve, moabitëve e malësorëve të Seirit, që kishin ardhur për të sulmuar Judën, e ata u mposhtën. Atëherë amonitët dhe moabitët u hodhën në sulm kundër malësorëve të Seirit për t'i shkatërruar e për t'i shfarosur krejt. Pasi shfarosën malësorët e Seirit, ata iu vërsulën njëri-tjetrit e u vranë. Kur luftëtarët e Judës shkuan në kullën e vrojtimit të shkretëtirës për të vëzhguar hordhitë e armiqve, panë gjithkund kufoma të shtrira përtokë. Asnjë nuk kishte shpëtuar. Joshafati e mbarë populli shkuan për të marrë plaçkën e luftës dhe gjetën mes kufomave aq shumë pasuri, veshje e sende me vlerë, saqë nuk mund t'i mbanin dot. Për tri ditë me radhë mblidhnin plaçka lufte. Aq shumë kishte. Ditën e katërt u mblodhën në luginën e Berakahut dhe atje bekuan Zotin. Prandaj ai vend quhet lugina e Bekimit edhe sot e kësaj dite. Mandej të gjithë banorët e Judës dhe të Jerusalemit, me Joshafatin në krye, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. Këtë gëzim të madh ua kishte dhënë Zoti, duke i bërë të ngadhënjenin mbi armiqtë. Ata shkuan në Jerusalem dhe hynë në tempullin e Zotit me harpa, me qeste e me trumbeta. Frika e Perëndisë i pushtoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur dëgjuan se vetë Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit. Kështu, mbretërimi i Joshafatit ishte i qetë, sepse Perëndia i tij i kishte dhënë paqe nga të gjitha anët. Joshafati u bë mbreti i Judës kur ishte tridhjetë e pesë vjeç. Ai mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jerusalem. E ëma e Joshafatit ishte bija e Shilhiut dhe quhej Azuba. Joshafati u soll si i ati, Asai, pa u shmangur, dhe bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit. Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan dhe populli nuk u kthye me gjithë zemër drejt Zotit, Perëndisë së etërve të vet. Bëmat e tjera të Joshafatit, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në historinë e Jehut, birit të Hananiut, që gjendet në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Pas këtyre ngjarjeve, Joshafati, mbreti i Judës, lidhi marrëveshje me Ahaziahun, mbretin e Izraelit, i cili vepronte me paudhësi. Sipas marrëveshjes që bënë, ata do të ndërtonin anije për të lundruar në Tarshish. Anijet i ndërtuan në Ecjon Geber. Por Eliezeri, biri i Dodavahut nga Mareshahu, profetizoi kundër Joshafatit e tha: «Meqenëse ke lidhur marrëveshje me Ahaziahun, Zoti do t'i shkatërrojë veprat e tua». Kështu, anijet u shkatërruan e ata nuk shkuan dot në Tarshish. Joshafati u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi Jehorami, i biri. Jehorami kishte vëlla Azarjahun, Jehielin, Zakarinë, Azarjahun, Mikaelin dhe Shefatjahun. Të gjithë vëllezërit e tij ishin bij të Joshafatit, mbretit të Izraelit. I ati u kishte dhënë shumë dhurata argjendi e ari, sende me vlerë dhe qytete të fortifikuara anekënd Judës, ndërsa mbretërinë ia dha Jehoramit, sepse ai ishte i parëlinduri. Kur hipi në fronin e të atit, Jehorami e forcoi pushtetin dhe i vrau me shpatë të gjithë vëllezërit, përfshirë këtu edhe disa nga prijësit e Izraelit. Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret. Ai sundoi për tetë vjet në Jerusalem. Ai u soll si mbretërit e Izraelit dhe ndoqi shembullin e shtëpisë së Ahabit, sepse ishte martuar me bijën e Ahabit. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit. Megjithatë Zoti nuk donte ta shkatërronte shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me të. Zoti i kishte premtuar se pasardhësit e Davidit do të mbretëronin përherë si një pishtar i ndezur. Gjatë mbretërimit të Jehoramit, Edomi ngriti krye kundër sundimit të Judës dhe shpalli mbretin e vet. Atëherë Jehorami kaloi kufirin, bashkë me krerët e ushtrisë së tij dhe me të gjitha qerret e luftës që kishte. Edomitët e rrethuan Jehoramin me gjithë prijësit e qerreve të luftës. Atëherë ai u ngrit natën e i sulmoi. Edomi nuk i është nënshtruar më sundimit të mbretërisë së Judës edhe sot e kësaj dite. Në të njëjtën kohë kundër sundimit të Judës ngriti krye edhe Libnahu. Kjo ndodhi ngaqë Jehorami e kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij. Jehorami ndërtoi edhe faltore idhujsh nëpër malet e Judës, duke e bërë popullin e Jerusalemit ta tradhtojnë Zotin dhe banorët e Judës të largohen prej tij. Atëherë profeti Eli i dërgoi një letër, ku i thoshte: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: “Ti nuk je sjellë si ati yt, Joshafati, dhe as si Asai, mbreti i Judës, por je sjellë si mbretërit e Izraelit, duke e bërë popullin e Judës dhe banorët e Jerusalemit ta tradhtojnë Zotin, ashtu siç i bëri edhe shtëpia e Ahabit. Për me tepër, vrave edhe vëllezërit e tu, familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti. Prandaj, ja, Zoti do të sjellë një fatkeqësi të madhe mbi popullin tënd, mbi bijtë e tu, mbi gratë e tua dhe mbi gjithë pasurinë tënde. Ti vetë do të vuash nga një sëmundje e rëndë barku që do të t'i nxjerrë zorrët prej barkut dita-ditës”». Atëherë Zoti nxiti kundër Jehoramit shpirtrat e filistinëve dhe të arabëve, fqinjëve të kushitëve. Ata e sulmuan Judën, e pushtuan dhe rrëmbyen bijtë e Jeroboamit, gratë e tij, si edhe gjithë pasuritë e pallatit mbretëror. Jeroboamit i mbeti vetëm djali i vogël, Jehoahazi. Pas këtyre ngjarjeve, Zoti e goditi Jehoramin me një sëmundje të pashërueshme barku. Jehorami përkeqësohej ditë pas dite. Si kaluan dy vjet, atij i dolën zorrët e barkut nga sëmundja e rëndë. Jehorami vdiq me dhimbje të tmerrshme. Gjatë varrimit të Jehoramit, populli nuk ndezi zjarre të mëdha për nder të tij, sikurse kishte bërë për paraardhësit e tij. Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tetë vjet në Jerusalem. Ai vdiq pa iu dhimbsur askujt dhe e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve. Në vend të Jehoramit banorët e Jerusalemit bënë mbret Ahazjahun, djalin e tij të vogël, sepse të gjithë djemtë e tij më të mëdhenj ishin vrarë nga hordhitë që kishin hyrë bashkë me arabët në fushimin e Judës. Kështu, Ahazjahu, biri i Jehoramit, u bë mbreti i Judës. Ahazjahu ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për një vit në Jerusalem. E ëma e tij quhej Atalia dhe ishte bija e Omriut. Edhe Ahazjahu u soll si shtëpia e Ahabit, sepse ishte e ëma ajo që e këshillonte të bënte ligësi. Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ahabit, sepse, pas vdekjes së të atit, ishin ata që e këshillonin dhe që e çuan drejt shkatërrimit. Ahazjahu ndoqi këshillën e tyre dhe u bashkua me Joramin, birin e Ahabit, mbretit të Izraelit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Aramit, në Ramot të Gileadit. Arameasit e plagosën Joramin. Jorami u kthye në Izrel për t'u shëruar nga plagët që i shkaktuan arameasit në Ramah gjatë betejës kundër Hazaelit, mbretit të Aramit. Ahazjahu, biri i Jehoramit, mbreti i Judës, shkoi në Izrel për ta takuar Joramin, birin e Ahabit, që dergjej i sëmurë. Por Perëndia kishte vendosur shkatërrimin e Ahazjahut. Kështu, Ahazjahu shkoi te Jorami e iu bashkua për të sulmuar Jehun, birin e Nimshit, të cilin Zoti e kishte vajosur mbret për të shfarosur shtëpinë e Ahabit. Kur Jehu vendosi drejtësinë e Perëndisë kundër shtëpisë së Ahabit, ai i gjeti zyrtarët e Judës dhe bijtë e vëllezërve të Ahazjahut, teksa i shërbenin atij, e i vrau. Kërkoi edhe Ahazjahun, i cili ishte fshehur në Samari. E kapën, e sollën te Jehu dhe ai e vrau. Mandej e varrosën, sepse thanë: «Është pasardhësi i Joshafatit, i cili ishte dhënë pas Zotit me gjithë zemër». Nga shtëpia e Ahazjahut nuk mbeti askush që të mund të mbretëronte. Kur Atalia, nëna e Ahazjahut, pa se i biri vdiq, i shfarosi të gjithë pasardhësit mbretërorë të shtëpisë së Judës. Por Jehosheba, bija e mbretit, e rrëmbeu fshehurazi Joashin, të birin e Ahazjahut, nga mesi i bijve të mbretit, që ishin për t'u vrarë, dhe e fshehu bashkë me tajën e tij në një nga dhomat e gjumit. Jehosheba, bija e mbretit Jehoram dhe gruaja e priftit Jehojada, motra e Ahazjahut, e fshehu Joashin prej Atalisë e kështu ajo nuk e vrau. Joashi qëndroi i fshehur për gjashtë vjet bashkë me to në tempullin e Perëndisë, për aq kohë sa mbretëroi Atalia. Në vitin e shtatë Jehojadai u bë i guximshëm dhe bëri një besëlidhje me tërë kryeqindësit, me Azarjahun, birin e Jerohamit, me Ishmaelin, birin e Jehohananit, me Azarjahun, birin e Obedit, me Masejahun, birin e Adajahut dhe me Elishafatin, birin e Zikriut. Ata shkuan anekënd Judës, mblodhën nga të gjitha qytetet e Judës levitët dhe krerët e familjeve të Izraelit dhe erdhën në Jerusalem. Të gjithë u mblodhën dhe bënë një besëlidhje me mbretin në tempullin e Perëndisë. Pastaj Jehojadai u tha: «Ky është biri i mbretit! Ai duhet të mbretërojë, siç ka thënë Zoti për pasardhësit e Davidit. Ja se ç'duhet të bëni: një e treta e priftërinjve dhe levitëve, që marrin shërbimin të shtunën, do të ruajnë portat e tempullit, një e treta pallatin mbretëror dhe një e treta Portën e Themelit. Populli të mblidhet i gjithi në tremet e tempullit të Zotit. Askush të mos hyjë në tempullin e Zotit, përveç priftërinjve dhe levitëve që kryejnë shërbesën. Ata mund të hyjnë, sepse janë të shenjtëruar. Mbarë populli të zbatojë urdhëresën e Zotit. Levitët do të qëndrojnë rreth e rrotull mbretit me armë në dorë dhe do të vrasin këdo që do t'i afrohet tempullit. Do ta shoqërojnë mbretin kudo që të shkojë». Levitët e mbarë Juda bënë siç u urdhëroi prifti Jehojada. Secili prej tyre mblodhi burrat e vet që do të merrnin apo do të linin shërbimin të shtunën. Prifti Jehojada nuk kishte lënë asnjë nga njësitë të largoheshin. Prifti Jehojada u dha kryeqindësve ushtat, mburojat dhe shqytet, që kishte pasur mbreti David e që gjendeshin në tempullin e Perëndisë. Të gjithë luftëtarët u vendosën të armatosur përpara tempullit, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tij, për të mbrojtur mbretin nga çdo anë. Atëherë ata nxorën birin e mbretit, i vunë kurorën në kokë dhe i dorëzuan rrotullën e dëshmisë. Pastaj Jehojadai dhe bijtë e tij e vajosën mbret, duartrokitën e brohoritën: «Rroftë mbreti!». Atalia dëgjoi popullin, që vraponte e brohoriste për mbretin, prandaj shkoi te populli në tempullin e Zotit. Kur pa mbretin tek qëndronte pranë shtyllës në hyrje të tempullit, luftëtarët dhe borizanët, që i qëndronin pranë, popullin, që gëzonte e u binte borive, këngëtarët dhe muzikantët, që udhëhiqnin lavdërimin me veglat e tyre, shqeu rrobat e bërtiti: «Tradhti! Tradhti!». Atëherë prifti Jehojada urdhëroi kryeqindësit e ushtrisë e u tha: «Nxirreni jashtë nga radhët tuaja dhe vritni me shpatë këdo që i shkon pas». Veçse, u kishte thënë të mos e vrisnin brenda në tempullin e Zotit. Atëherë e kapën dhe e vranë sapo ajo arriti në pallatin mbretëror, te hyrja e Portës së Kuajve. Jehojadai bëri një besëlidhje mes tij, popullit dhe mbretit, që populli t'i përkiste Zotit. Atëherë mbarë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërruan. Altarët dhe idhujt e tij i rrënuan dhe Matanin, priftin e Baalit, e vranë para altarëve. Mandej Jehojadai caktoi roja rreth tempullit të Zotit, nën mbikëqyrjen e priftërinjve dhe levitëve, siç i kishte caktuar Davidi në tempullin e Zotit, për t'i kushtuar fli shkrumbimi Zotit, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me gëzim e me këngë, siç kishte urdhëruar Davidi. Ai vendosi edhe derëtarët te portat e tempullit të Zotit, që të mos linin të hynte asnjë që ishte bërë i papastër për çfarëdo arsye. Ai mblodhi kryeqindësit, fisnikët, qeveritarët e mbarë popullin dhe e shoqëruan mbretin nga tempulli i Zotit për në pallatin mbretëror përmes Portës së Epërme. Mbreti Joash u ul në fronin mbretëror. Mbarë populli i vendit u gëzua dhe qyteti ra në paqe. Atalinë e vranë me shpatë. Joashi ishte shtatë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem. E ëma quhej Cibia dhe ishte nga Bersheba. Joashi bëri çka është mirë në sytë e Zotit për sa qe gjallë prifti Jehojada. Jehojadai e martoi me dy gra dhe Joashit i lindën djem e vajza. Pas ca kohe, Joashi vendosi të rindërtonte tempullin e Zotit. Ai mblodhi priftërinjtë dhe levitët e u tha: «Shkoni nëpër qytetet e Judës dhe mblidhni çdo vit para nga të gjithë izraelitët për rindërtimin e tempullit të Perëndisë suaj. Bëjeni shpejt këtë punë». Por levitët i zvarritën punët. Atëherë mbreti thirri kryepriftin Jehojada e i tha: «Përse nuk je kujdesur që levitët të mbledhin nga banorët e Judës dhe të Jerusalemit tagrin që caktuan Moisiu, shërbëtori i Zotit, dhe bashkësia e Izraelit, për tendën e dëshmisë? Atalia, ajo grua e pabesë, dhe bijtë e saj e plaçkitën tempullin e Perëndisë dhe, për më tepër, i përdorën sendet e kushtuara të tempullit të Zotit për adhurimin e Baalit». Mbreti dha urdhër të bënin një arkë e ta vendosnin jashtë portës së tempullit të Zotit. Pastaj nxorën shpallje në Judë dhe në Jerusalem për t'i sjellë Zotit tagrin që Moisiu, shërbëtori i Perëndisë i kishte caktuar Izraelit në shkretëtirë. Prijësit e mbarë populli vinin me gëzim e hidhnin para, derisa mbushej arka. Levitët e çonin arkën te nëpunësi i mbretit, sapo shihnin se ishte mbushur me para. Atëherë vinte shkruesi i mbretit dhe nëpunësi i kryepriftit, të cilët e zbraznin arkën. Mandej levitët e merrnin arkën dhe e kthenin në vendin e vet. Këtë ata e bënin përditë dhe kështu grumbulluan shumë para. Mbreti dhe Jehojadai ia jepnin paratë atyre që mbikëqyrnin punimet në tempullin e Zotit dhe ata paguanin gurgdhendësit, mjeshtrat, që merreshin me rindërtimin e tempullit të Zotit, dhe farkëtarët e hekurit dhe të bronzit, për të ndrequr tempullin e Zotit. Mbikëqyrësit e punimeve e bënë mirë punën dhe rindërtimi shkoi mirë nën mbikëqyrjen e tyre. Ata e rindërtuan tempullin e Perëndisë siç ishte më parë dhe e bënë edhe më të fortë. Kur mbaruan, i sollën mbretit dhe priftit Jehojada paratë e mbetura, me të cilat punuan pajisje të ndryshme për tempullin e Zotit, sende për adhurimin, për kushtimin e flive të shkrumbimit, kupa dhe enë të tjera prej ari dhe argjendi. Në tempullin e Zotit u kushtuan rregullisht flitë e shkrumbimit sa qe gjallë Jehojadai. Jehojadai vdiq në moshë të madhe dhe i ngopur me ditë. Ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq. E varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse ai bëri në Izrael çka është mirë lidhur me Perëndinë dhe me tempullin e tij. Pas vdekjes së Jehojadait, prijësit e Judës erdhën te mbreti e u përkulën para tij dhe mbreti i dëgjoi. Ata e braktisën tempullin e Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, dhe adhuruan shtyllat e Asherasë dhe idhujt e tjerë. Kështu, për shkak të kësaj paudhësie, zemërimi i Zotit u ndez kundër Judës dhe Jerusalemit. Ai u dërgoi profetë, që të ktheheshin te Zoti, të cilët i qortuan, por ata nuk u vunë vesh. Atëherë Shpirti i Perëndisë përfshiu Zakarinë, birin e priftit Jehojada, i cili qëndroi në një vend të lartë përpara popullit e tha: «Kështu thotë Perëndia: “Përse po i shkelni urdhërimet e Zotit? Kjo nuk do t'ju sjellë mirësi, sepse e keni braktisur Zotin dhe ai ju ka braktisur juve”». Por populli i ngriti kurth Zakarisë dhe me urdhër të mbretit e vranë me gurë në tremen e tempullit të Zotit. Mbreti Joash e harroi mirësinë që i kishte bërë Jehojadai dhe i vrau të birin, Zakarinë. Teksa po vdiste, Zakaria tha: « Zoti paftë e gjykoftë!». Në krye të vitit, kundër Joashit u ngrit ushtria e Aramit, e cila sulmoi Judën dhe Jerusalemin, shfarosi të gjithë prijësit e popullit dhe prenë e luftës ia dërgoi mbretit në Damask. Ushtria e Aramit kishte një numër të vogël luftëtarësh. Megjithatë, Zoti ua dorëzoi ushtrinë e Judës, që ishte e shumtë në numër, për shkak se ata e kishin braktisur Zotin, Perëndinë e tyre. Kështu u ndëshkua Joashi. Kur arameasit u tërhoqën, duke e lënë Joashin shumë të sëmurë, vetë shërbëtorët e Joashit u ngritën kundër tij, për të marrë gjakun e birit të priftit Jehojada, dhe e vranë në shtratin e tij. Joashin e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve. Ata që u ngritën kundër Joashit ishin Zabadi, biri i Shimeatës, amonites, dhe Jehozabadi, biri i Shimritës, moabites. Të dhënat për bijtë e Joashit, për kumtet e shumta të thëna kundër tij dhe tregimi për rindërtimin e tempullit të Perëndisë, janë të shkruara në librin e Mbretërve. Në vend të Joashit mbretëroi i biri, Amacjahu. Amacjahu ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Joadana dhe ishte nga Jerusalemi. Amacjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, por zemra e tij nuk iu përkushtua plotësisht Zotit. Kur mbretërimi i tij u bë më i fortë, Amacjahu i vrau zyrtarët e vet, që i kishin vrarë të atin, mbretin Joash. Por bijtë e tyre nuk i vrau, sikurse është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, ku Zoti urdhëron: «Të mos dënohen me vdekje etërit për shkak të bijve e as bijtë për shkak të etërve. Secili të dënohet për mëkatin e vet». Amacjahu mblodhi tërë banorët e Judës dhe të Benjaminit, i renditi në grupime sipas vëllazërive dhe u caktoi kryemijës dhe kryeqindës. Ai thirri nën armë meshkujt nga njëzet vjeç e lart dhe i dolën treqind mijë burra të zgjedhur të aftë për luftë dhe për të mbajtur heshtë e shqytë. Me tre tonë argjend ai mori edhe njëqind mijë luftëtarë trima me pagesë nga Izraeli. Një njeri i Perëndisë erdhi tek Amacjahu e i tha: «O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, me bijtë e Efraimit. Nëse dëshiron të shkosh e të luftosh në saje të fuqisë tënde, Perëndia do të të mposhtë para armikut, sepse Perëndia e ka në dorë të të ndihmojë apo të të mposhtë». Amacjahu i tha njeriut të Perëndisë: «Po me gjithë ato para, që u dhashë ushtarëve të Izraelit, çfarë të bëj?». Njeriu i Perëndisë iu përgjigj: « Zoti mund të të japë edhe më shumë se aq». Atëherë Amacjahu i ndau më vete ushtarët, që i kishin ardhur nga Efraimi, e i ktheu në vendin e tyre. Ata u zemëruan shumë kundër Judës dhe u kthyen në vendin e tyre duke turfulluar nga zemërimi. Amacjahu mori fuqi, u vu në krye të ushtrisë së tij dhe shkoi në luginën e Kripës, ku vrau dhjetë mijë luftëtarë të Seirit. Luftëtarët e Judës zunë rob edhe dhjetë mijë të tjerë, i çuan në majën e një shkrepi dhe i hodhën prej andej. Të gjithë u bënë copë e çikë. Por luftëtarët e Izraelit, që Amacjahu kishte kthyer pas e nuk i kishte marrë me vete në betejë, sulmuan qytetet e Judës nga Samaria në Bet Horon, vranë tre mijë banorë dhe rrëmbyen shumë plaçkë lufte. Amacjahu u kthye nga fitorja me edomitët, duke marrë me vete edhe perënditë e banorëve të Seirit. I bëri perëndi të vetat, u përkul para tyre dhe u kushtoi temjan. Kështu, zemërimi i Zotit u ndez kundër Amacjahut dhe Zoti i dërgoi një profet për t'i thënë: «Përse je kthyer nga perënditë e popujve që nuk mundën ta shpëtojnë popullin e tyre nga duart e tua?». Teksa profeti fliste, Amacjahu i tha: «Mos të kemi bërë vallë këshilltar të mbretit? Hesht, se do të vritesh». Profeti heshti, por i tha: «Unë di se Perëndia ka vendosur shkatërrimin tënd për këtë që bëre dhe se nuk e dëgjove këshillën time». Mandej Amacjahu, mbreti i Judës, u këshillua me oborrtarët dhe i dërgoi lajmëtarë Jehoahazit, birit të Jehut, mbretit të Izraelit, e i tha: «Eja të ndeshemi!». Joashi, mbreti i Izraelit, i dërgoi fjalë Amacjahut, mbretit të Judës, e i tha: «Ferra e Libanit i çoi fjalë cedrit të Libanit e i tha: “Jepja vajzën për nuse djalit tim”. Por ja, një kafshë e egër Libani kaloi dhe e shkeli ferrën me këmbë. Ngaqë e mposhte Edomin, të është rritur mendja. Rri në shtëpinë tënde! Përse dashke të shkaktosh fatkeqësi? Përse dashke të shkatërrosh veten dhe Judën bashkë me veten?». Por Amacjahu, mbreti i Judës, nuk e dëgjoi. Ishte nga Perëndia, që judenjtë të mposhteshin, për shkak se ishin dhënë pas idhujve të Edomit. Prandaj Joashi, mbreti i Izraelit, e sulmoi dhe u ndesh me Amacjahun, mbretin e Judës, në Bet Shemesh të Judës. Judenjtë u mposhtën nga izraelitët dhe u kthyen nëpër tendat e tyre. Joashi, mbreti i Izraelit, e zuri rob Amacjahun, mbretin e Judës, birin e Joashit, të birit të Jehoahazit, në Bet Shemesh. Joashi shkoi mandej në Jerusalem dhe rrënoi murin e qytetit nga Porta e Efraimit deri te Porta e Këndit, rreth dyqind metra. Ai plaçkiti të gjithë argjendin, arin dhe sendet e gjetura në tempullin e Perëndisë, nën ruajtjen e Obed Edomit, dhe në thesarin e pallatit mbretëror. Mori edhe disa pengje dhe u kthye në Samari. Amacjahu, mbreti i Judës, biri i Joashit, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Joashit, mbretit të Izraelit, të birit të Jehoahazit. Bëmat e tjera të Amacjahut, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit. Që nga koha kur Amacjahu u largua nga Zoti, disa njerëz ngritën krye kundër tij në Jerusalem. Amacjahu iku në Lakish, por edhe atje e ndoqën pas dhe e vranë. Prej andej ia prunë trupin me kuaj dhe e varrosën bashkë me paraardhësit në qytetin e Judës. Mbarë populli i Judës mori Uziahun, që ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe e bënë mbret në vend të të atit, Amacjahut. Ai rindërtoi Ejlatin dhe e ktheu nën sundimin e Judës, pas vdekjes së mbretit. Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur u bë mbret dhe sundoi pesëdhjetë e dy vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jeholia dhe ishte nga Jerusalemi. Uziahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Amacjahu. Ai e kërkoi Perëndinë sa qe gjallë Zakaria, i cili kuptonte vegimet e Perëndisë. Për sa kohë kërkoi Zotin, Perëndia i dha Uziahut begati. Uziahu luftoi kundër filistinëve. Ai rrënoi muret e Gatit, të Jabnehut dhe të Ashdodit dhe ndërtoi qytete përreth Ashdodit dhe në krahinën e filistinëve. Perëndia e ndihmoi kundër filistinëve, kundër arabëve, që jetonin në Gur Baal dhe kundër meunitëve. Edhe amonitët i paguanin tagra Uziahut. Ai u bë aq i fuqishëm, saqë fama e tij shkoi deri në kufijtë e Egjiptit. Uziahu ndërtoi në Jerusalem një kullë te Porta e Këndit dhe një kullë te Porta e Luginës, të cilat i fortifikoi. Ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë, hapi shumë puse, sepse zotëronte shumë bagëti si në Shefelah, ashtu edhe në krahinën fushore. Ai pati edhe bujq e vreshtarë nëpër krahinat malore dhe nëpër rrafshnaltat pjellore, sepse i pëlqente bujqësia. Uziahu pati edhe një ushtri të stërvitur e të ndarë në njësi sulmuese, sipas njehsimit të bërë nga shkruesi Jejel dhe nëpunësi Masejah, nën udhëzimet e Hananiahut, zyrtarit të mbretit. Numri i të gjithë krerëve të vëllazërive të luftëtarëve trima ishte dy mijë e gjashtëqind. E gjithë ushtria ishte nën drejtimin e tyre, treqind e shtatë mijë e pesëqind luftëtarë të aftë për luftë, të gatshëm për të luftuar kundër armiqve të mbretit. Uziahu e pajisi të gjithë ushtrinë me shqyte, heshta, përkrenare, parzmore, harqe dhe hobe për të gjuajtur me gurë. Në Jerusalem ai bëri disa pajisje lufte të ndërtuara me mjeshtëri, të cilat ai i vendosi nëpër kulla dhe nëpër qoshe, për të gjuajtur me shigjeta dhe me gurë të mëdhenj. Fama e tij u përhap në vende të largëta, sepse Zoti e kishte ndihmuar në mënyrë të mrekullueshme dhe i kishte dhënë forcë. Mirëpo, kur u bë i fuqishëm, Uziahut iu rrit mendja dhe kjo e çoi në shkatërrim. Ai e tradhtoi Zotin, Perëndinë e tij, dhe shkoi në tempullin e Zotit për të kushtuar temjan mbi altar. Pas tij hyri prifti Azarjah bashkë me tetëdhjetë priftërinj të Zotit, burra trima. Ata i dolën përpara mbretit e i thanë: «Nuk të takon ty, o Uziah, t'i kushtosh temjan Zotit, por priftërinjve, pasardhësve të Aronit, që janë shenjtëruar për të kushtuar temjan. Dil nga shenjtërorja, sepse ke bërë paudhësi. Nuk do të ketë më lavdi për ty nga Zoti, Perëndia». Uziahu u zemërua shumë dhe në dorë mbante temjanicën për të kushtuar temjanin. Teksa filloi të grindej me priftërinjtë, iu shfaq në ballë lebra, përpara priftërinjve në tempullin e Zotit, pranë altarit të temjanit. Kur kryeprifti Azarjah dhe të gjithë priftërinjtë e tjerë panë lebrën në ballin e Uziahut, e nxorën me nxitim jashtë tempullit. Edhe vetë Uziahu doli me nxitim, sepse Zoti e kishte goditur me lebër. Mbreti Uziah mbeti i lebrosur deri ditën kur vdiq. Ai banoi në një shtëpi të veçuar, i lebrosur dhe i përjashtuar nga tempulli i Zotit. Ishte i biri, Jotami, ai që drejtonte punët e pallatit mbretëror dhe që qeveriste popullin e vendit. Bëmat e tjera të Uziahut, të hershmet e të vonshmet, i ka shkruar profeti Isai, biri i Amosit. Uziahu u preh me paraardhësit e tij dhe populli e varrosi bashkë me ta në fushën e varrezave mbretërore, sepse thanë se kishte qenë i lebrosur. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotami. Jotami ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jerusha dhe ishte e bija e Cadokut. Jotami bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Uziahu. Megjithatë, ai nuk shkonte në tempullin e Zotit dhe populli vazhdonte të ishte i shthurur. Jotami ndërtoi Portën e Sipërme të tempullit të Zotit dhe bëri shumë punime në murin e Ofelit. Ai ndërtoi disa qytete në malësinë e Judës dhe nëpër pyje ngriti fortesa e kulla. Jotami luftoi kundër mbretit të amonitëve dhe e mposhti. Amonitët i dhanë atë vit tre tonë argjend, tre mijë tonë grurë dhe tre mijë tonë elb. Po aq i dhanë edhe vitin e dytë, edhe vitin e tretë. Jotami sa vinte e bëhej më i fuqishëm, sepse ndiqte udhën e Zotit, Perëndisë së tij. Bëmat e tjera të Jotamit, tërë luftrat dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit e të Judës. Jotami ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. Jotami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ahazi. Ahazi ishte njëzet vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. Ai nuk bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, si Davidi, paraardhësi i tij, por ndoqi udhët e mbretërve të Izraelit. Për më tepër ai bëri idhuj prej metali për Baalët, kushtoi temjan në luginën e Ben Hinomit dhe flijoi edhe bijtë e vet në zjarr, sipas zakoneve të pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Po ashtu, ai kushtoi flijime e temjan në faltoret në vende të larta, nëpër kodra dhe nën pemë të harlisura. Prandaj Zoti, Perëndia i tij, e dorëzoi te mbreti i Aramit, i cili e mposhti, zuri një numër të madh robërish dhe i solli në Damask. Ahazi ra edhe në duart e mbretit të Izraelit, i cili i shkaktoi një humbje të tmerrshme. Pekahu, biri i Remaliahut, vrau njëqind e njëzet mijë burra të Judës në një ditë të vetme, sepse ata e kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Edhe Zikriu, një luftëtar nga Efraimi, vrau Masejahun, të birin e mbretit, Azrikamin, kreun e oborrit mbretëror, dhe Elkanahun, mëkëmbësin e mbretit. Izraelitët morën prej vëllezërve të tyre të Judës dyqind mijë robër, gra, djem e vajza, si edhe shumë plaçkë lufte, dhe i çuan në Samari. Aty jetonte një profet i Zotit që quhej Oded. Ai i doli përpara ushtrisë, teksa po kthehej në Samari, e u tha: «Ja, Zoti, Perëndia i etërve tuaj, u zemërua kundër Judës dhe jua dorëzoi juve, por ju i vratë me aq mizori, sa jehona e saj mbërriti në qiej. Për më tepër, dashkeni t'i nënshtroni si skllevër e si skllave, popullin e Judës e të Jerusalemit. A nuk jeni fajtorë kundër Zotit, Perëndisë tuaj? Prandaj më dëgjoni! Kthejini robërit që morët nga vëllezërit tuaj, sepse zemërimi i zjarrtë i Zotit ka për të rënë mbi ju». Atyre që po ktheheshin nga lufta u dolën përpara edhe disa nga krerët e pasardhësve të Efraimit, Azarjahu, biri i Jehohananit, Berekjahu, biri i Meshilemotit, Ezekia, biri i Shalumit, dhe Amasai, biri i Hadlait. Ata u thanë: «Mos i sillni këtu robërit. I madh është faji ynë ndaj Zotit dhe zemërimi i tij është ndezur kundër nesh. Përse doni t'i shtoni edhe këtë mëkateve dhe fajeve tona ndaj Izraelit?». Atëherë luftëtarët i lanë robërit bashkë me plaçkën e luftës para prijësve e mbarë bashkësisë. U emëruan disa burra, të cilët u ngritën, morën robërit dhe me plaçkën e luftës veshën ata që ishin të zhveshur. I veshën, i mbathën, u dhanë për të ngrënë e për të pirë dhe i lyen me vaj. Të gjithë të këputurit i hipën mbi gomarë dhe i çuan te të afërmit e tyre në Jeriko, në qytetin e palmave. Mandej u kthyen në Samari. Asokohe mbreti Ahaz dërgoi lajmëtarë te mbreti i Asirisë për t'i kërkuar ndihmë. Edomitët erdhën sërish, e mposhtën Judën dhe morën robër. Filistinët sulmuan qytetet e ultësirës dhe të shkretëtirës së Judës, pushtuan Bet Shemeshin, Ajalonin, Gederotin, Sokohun me fshatrat përreth, Timnahun me fshatrat përreth dhe Gimzonë me fshatrat përreth, e u vendosën në to. Zoti e kishte poshtëruar Judën për shkak të Ahazit, mbretit të Izraelit, i cili e kishte shtyrë Judën në shthurje dhe kishte vepruar me shumë paudhësi kundër Zotit. Tiglat Pileseri, mbreti i Asirisë, erdhi tek Ahazi, por në vend që ta ndihmonte, e shtypi. Atëherë Ahazi plaçkiti tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe pallatet e prijësve për t'ia dhënë mbretit të Asirisë, por gjithsesi ndihmë prej tij nuk mori. Edhe kur u ndodh shumë ngushtë, mbreti Ahaz e shtoi paudhësinë ndaj Zotit. Ai u kushtoi flijime perëndive të Damaskut, që e kishin mposhtur, e tha: «Perënditë e mbretërve të Aramit po e ndihmojnë popullin e vet. Do t'u kushtoj, pra, edhe unë flijime, që të më ndihmojnë edhe mua». Por përkundrazi, ato u bënë rrënimi i tij dhe i mbarë Izraelit. Ahazi mblodhi të gjitha pajisjet e tempullit të Perëndisë, i theu në copa dhe mbylli dyert e tempullit të Zotit. Mandej ndërtoi altarë në çdo kënd të Jerusalemit. Në çdo qytet të Judës ai ndërtoi faltore në vende të larta për t'u kushtuar temjan perëndive të huaj dhe ndezi kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë së paraardhësve të tij. Bëmat e tjera të Ahazit dhe veprat e tij, të parat e të fundit, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës e të Izraelit. Ahazi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Jerusalem, por jo në varret e mbretërve të Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia. Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Abija dhe ishte e bija e Zakarisë. Ezekia bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi, paraardhësi i tij. Në muajin e parë të vitit të parë të mbretërimit të tij, Ezekia hapi dyert e tempullit të Zotit dhe i ndreqi. Mandej thirri priftërinjtë dhe levitët, i mblodhi në sheshin e Lindjes e u tha: «Më dëgjoni, o levitë! Shenjtëroni veten dhe shenjtëroni tempullin e Zotit, Perëndisë së etërve tuaj. Nxirrni nga ky vend i shenjtë çdo send të papastër. Etërit tanë kanë bërë paudhësi dhe çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë tonë. E braktisën, u larguan nga tenda e Zotit e i kthyen shpinën. Për më tepër, i mbyllën dyert, i fikën llambat dhe nuk kushtuan as temjan e as fli shkrumbimi në shenjtëroren e Perëndisë së Izraelit. Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Judës e Jerusalemit dhe i bëri shembull tmerri, çudie dhe përçmimi, siç e shihni me sytë tuaj. E ja, etërit tanë vdiqën nga shpata, ndërsa bijtë tanë, bijat tona dhe gratë tona janë tretur në robëri. Tani e kam për zemër të bëj besëlidhje me Zotin, Perëndinë e Izraelit, që të largojë prej nesh zemërimin e tij të flaktë. Bijtë e mi, mos u tregoni të shkujdesur, sepse Zoti ju ka zgjedhur të qëndroni para tij, t'i shërbeni e t'i kushtoni temjan». Atëherë u ngritën këta levitë: Mahati, biri i Amasait, dhe Joeli, biri i Azarjahut, nga pasardhësit e kohatitëve; Kishi, biri i Abdiut, dhe Azarjahu, biri i Jehalelelit, nga pasardhësit e meraritëve; Joahu, biri i Zimahut, dhe Edeni, biri i Joahut, nga pasardhësit e gershonitëve; Shimriu e Jejeli nga pasardhësit e Elicafanit; Zakaria e Matanjahu nga pasardhësit e Asafit; Jehieli e Shimei nga pasardhësit e Hemanit; dhe Shemajahu e Uzieli, nga pasardhësit e Jedutunit. Ata mblodhën vëllezërit e tyre, u shenjtëruan dhe shkuan në tempullin e Zotit për ta pastruar, sipas urdhrit të mbretit dhe fjalës së Zotit. Në tempullin e Zotit hynë për të pastruar edhe priftërinjtë. Ata nxorën prej tempullit të Zotit të gjitha sendet e papastra që gjetën atje dhe i grumbulluan në tremen e tempullit të Zotit. Pastaj levitët i morën dhe i çuan në vaun e Kidronit. Ata filluan të shenjtërohen ditën e parë të muajit të parë dhe në ditën e tetë hynë në tremen e tempullit të Zotit. Tempullin e Zotit e shenjtëruan për tetë ditë dhe përfunduan në ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të parë. Mandej shkuan te mbreti Ezeki e i thanë: «E pastruam të gjithë tempullin e Zotit, altarin e flive të shkrumbimit me të gjitha pajisjet e tij dhe tryezën e bukëve të paraqitjes me të gjitha pajisjet e saj. Pastruam edhe të gjitha pajisjet që kishte përdhosur mbreti Ahaz gjatë mbretërimit të tij, duke bërë paudhësi, i shenjtëruam dhe ja, tani gjenden para altarit të Zotit ». Ezekia u ngrit herët në mëngjes, mblodhi parinë e qytetit dhe shkoi në tempullin e Zotit. Ata sollën shtatë mëzetër, shtatë desh, shtatë qengja e shtatë cjep, që t'i kushtonin si fli për mëkatet e mbretërisë, për shenjtëroren dhe për popullin e Judës. Atëherë mbreti u tha priftërinjve, pasardhësve të Aronit, që t'i kushtonin mbi altarin e Zotit. Priftërinjtë therën mëzetërit dhe me gjakun e tyre spërkatën altarin. Po ashtu therën deshtë dhe me gjakun e tyre spërkatën sërish altarin dhe mandej therën edhe qengjat, duke e spërkatur altarin edhe me gjakun e tyre. Pastaj i paraqitën mbretit dhe kuvendit cjeptë, që do të kushtoheshin si fli për mëkatet, dhe ata vunë duart mbi cjeptë. Priftërinjtë i therën cjeptë dhe gjakun e tyre e kushtuan mbi altar si fli për mëkatet dhe për shpengimin e mbarë Izraelit, sepse mbreti kishte urdhëruar të kushtohej fli shkrumbimi dhe fli për mëkatet e mbarë Izraelit. Mbreti kishte caktuar edhe levitët në tempullin e Zotit, me cimbale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhërimeve të Davidit, të Gadit, vegimtarit të mbretit, dhe profetit Natan, sepse urdhri kishte ardhur prej Zotit përmes profetëve. Levitët zunë vend me veglat muzikore të Davidit, ndërsa priftërinjtë me boritë. Atëherë Ezekia dha urdhër të kushtohej flija e shkrumbimit mbi altar. Teksa kushtohej flija e shkrumbimit, filluan t'i këndonin himne Zotit, t'u binin borive dhe veglave muzikore të Davidit, mbretit të Izraelit. Mbarë kuvendi u përkul për të adhuruar, ndërkohë që këndoheshin himnet dhe binin boritë, derisa u krye kushtimi i flisë së shkrumbimit. Kur mbaroi kushtimi i flisë së shkrumbimit, mbreti dhe të gjithë ata që ishin me të, u përkulën me fytyrë përtokë për të adhuruar. Mbreti Ezeki dhe prijësit u kërkuan levitëve ta përlëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe Asafit, vegimtarit. E përlëvduan Zotin tërë hare dhe u përkulën për ta adhuruar. Pastaj e mori fjalën Ezekia e tha: «Tani që jeni shenjtëruar për Zotin, afrohuni e sillni kushtimet bashkë me flitë e falënderimit në tempullin e Zotit ». Kuvendi solli kushtimet dhe flitë e falënderimit dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën fli shkrumbimi. Numri i flive të shkrumbimit që solli kuvendi ishte shtatëdhjetë mëzetër, njëqind desh dhe dyqind qengja. Ti gjitha u kushtuan si fli shkrumbimi për Zotin. U kushtuan edhe gjashtëqind lopë dhe tre mijë dele. Meqenëse priftërinjtë ishin të paktë në numër dhe nuk mund t'i rripnin të gjitha flitë e shkrumbimit, u erdhën në ndihmë levitët, të afërmit e tyre, derisa u krye puna e derisa të shenjtëroheshin priftërinj të tjerë, sepse levitët ishin më të zellshëm për t'u shenjtëruar sesa priftërinjtë. Për më tepër, veç flive të shkrumbimit, i shumtë ishte edhe dhjami i flive të paqtimit dhe i flive të stërpikjes për flitë e shkrumbimit. Kështu, u kryen sërish shërbesat në tempullin e Zotit. Ezekia e mbarë populli u gëzuan me gjithçka që Perëndia kishte bërë për ta, sepse të gjitha gjërat u bënë pa vonesa. Ezekia i dërgoi lajm mbarë Izraelit dhe Judës, madje dërgoi letra edhe në Efraim e në Manase, që të vinin në Jerusalem në tempullin e Zotit për të kremtuar Pashkën në nder të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Mbreti, prijësit e mbarë kuvendi në Jerusalem, u këshilluan dhe vendosën ta kremtonin Pashkën në muajin e dytë. Deri në atë kohë nuk kishin mundur ta kremtonin Pashkën, sepse nuk kishte pasur mjaft priftërinj të shenjtëruar për kremtimin dhe populli nuk ishte mbledhur në Jerusalem. Kjo gjë i pëlqeu mbretit e mbarë kuvendit. Atëherë vendosën ta shpallin lajmin në mbarë Izraelin, nga Bersheba deri në Dan, që të vinin e të kremtonin në Jerusalem Pashkën e Zotit, Perëndisë së Izraelit, sepse ata që e kishin kremtuar sipas rregullave të shkruara ishin të paktë. Lajmëtarët morën letrat e nënshkruara nga mbreti dhe prijësit e tij, shkuan në mbarë Izraelin e Judën, dhe, sipas urdhrit të mbretit, shpallën: «Bij të Izraelit, të gjithë ju që i shpëtuat zgjedhës së mbretit të Asirisë! Kthehuni te Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, që edhe ai të kthehet te ju. Mos u bëni si etërit dhe si vëllezërit tuaj, që vepruan me paudhësi kundër Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, i cili i la të bien në mjerim, siç e shihni vetë. Mos u bëni kokëfortë si etërit tuaj! Zgjatini, pra, duart tani drejt Zotit dhe ejani në shenjtëroren e tij, që ai e shenjtëroi në amshim, e shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, që të largohet prej jush zemërimi i tij i zjarrtë. Nëse ktheheni te Zoti, vëllezërit dhe bijtë tuaj do të gjejnë mëshirë para atyre që i kanë robëruar e do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm e i dhembshur dhe nuk do të largohet nga ju, nëse ktheheni tek ai». Lajmëtarët kaluan qytet më qytet në tokën e Efraimit dhe të Manaseut deri në Zabulon, por njerëzit i përqeshën e u tallën me ta. Megjithatë, disa prej fisit të Asherit, Manaseut dhe Zabulonit u përulën dhe erdhën në Jerusalem. Në Judë veproi dora e Perëndisë dhe i bëri të gjithë t'i binden me një zemër urdhrit të mbretit e të prijësve, sipas fjalës së Zotit. Kështu, në muajin e dytë në Jerusalem u mblodh një turmë e madhe për të kremtuar festën e Bukëve të ndorme. Bashkësia e mbledhur ishte shumë e madhe. Si fillim u ngritën e hoqën altarët që ishin nëpër Jerusalem, si dhe altarët ku kushtohej temjan, dhe i hodhën në përroin e Kidronit. Qengjin e Pashkës e therën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe levitët, të turpëruar, u shenjtëruan dhe kushtuan fli shkrumbimi në tempullin e Zotit. Ata qëndruan në vendet e tyre sipas rregullave dhe ligjit të Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin me gjakun që e merrnin nga duart e levitëve. Meqenëse shumë prej bashkësisë nuk ishin pastruar, levitët kushtonin flitë e Pashkës për të gjithë ata që nuk ishin pastruar për t'i kushtuar fli Zotit. Një pjesë shumë e madhe e atyre që erdhën nga Efraimi, Manaseu, Isahari e Zabuloni nuk ishin pastruar dhe nuk e hëngrën Pashkën sipas rregullave të shkruara. Por Ezekia u lut për ta e tha: « Zoti i mirë faltë cilindo që ka vendosur në zemrën e vet të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa kryer pastrimin që kërkon shenjtërorja». Zoti e dëgjoi Ezekinë dhe pati dhembshuri për popullin. Izraelitët, që u ndodhën në Jerusalem, e kremtuan festën e Bukëve të ndorme për shtatë ditë me shumë gëzim, duke përlëvduar Zotin. Çdo ditë levitët dhe priftërinjtë e përlëvdonin Zotin me vegla muzikore. Ezekia i përgëzoi të gjithë levitët për njohuritë dhe kujdesin e treguar ndaj Zotit. Për të shtatë ditët e së kremtes kishin ngrënë, kishin kushtuar fli paqtimi dhe kishin falënderuar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Mbarë bashkësia vendosi atëherë të kremtonte edhe shtatë ditë të tjera. Kështu, kremtuan edhe për shtatë ditë tërë gëzim, sepse Ezekia, mbreti i Judës, i kishte dhuruar bashkësisë një mijë mëzetër dhe shtatë mijë dele, ndërsa prijësit i kishin dhuruar bashkësisë një mijë mëzetër dhe dhjetë mijë dele. U shenjtëruan edhe shumë priftërinj. U gëzua mbarë bashkësia e Judës, priftërinjtë, levitët, të gjithë ata që kishin ardhur nga Izraeli, si edhe të huajt që kishin ardhur nga Izraeli apo që banonin në Judë. Gëzimi qe shumë i madh në Jerusalem, sepse që nga koha e Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit, nuk ishte parë një kremtim i tillë. Pastaj priftërinjtë u ngritën dhe bekuan popullin. Zëri dhe lutja e tyre u dëgjua deri në qiell, në banesën e shenjtë. Pasi mbaruan të gjitha këto kremtime, të gjithë izraelitët, që ndodheshin në qytetet e Judës, rrënuan shtyllat e shenjta, shtyllat e Asherasë i thyen copash dhe shkatërruan faltoret në vende të larta dhe altarët në mbarë Judën dhe Benjaminin, në Efraim dhe në Manase, derisa i shkatërruan plotësisht. Mandej izraelitët u kthyen nëpër pronat dhe qytetet e veta. Ezekia përtëriu edhe rangjet priftërore e levitike sipas shërbesës që kryenin, për kushtimin e flive të shkrumbimit, e flive të paqtimit, për kryerjen e shërbesave, si edhe për të kënduar himne falënderimi e lavdërimi në portat e oborreve të Zotit. Mbreti caktoi edhe pjesën e pasurisë së tij që do të kushtohej për flitë e shkrumbimit në mëngjes, në mbrëmje, të shtunave, në ditët e hënës së re dhe në të kremtet e caktuara, siç ishte shkruar në ligjin e Zotit. Ai u urdhëroi banorëve të Jerusalemit t'u jepnin priftërinjve dhe levitëve pjesën që u takonte, që ata të mund t'i përkushtoheshin ligjit të Zotit. Sapo u përhap ky urdhër, izraelitët i sollën me shumicë frytet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve të tokës. Ata e sollën me shumicë të dhjetën e prodhimeve të tyre. Edhe izraelitët dhe judenjtë, që banonin në qytetet e Judës, sollën të dhjetat e gjedhëve e të dhenve dhe të dhjetat e gjithçkaje që i kishin kushtuar Zotit, Perëndisë së tyre. Të gjitha prodhimet e sjella i grumbulluan nëpër pirgje. Filluan t'i grumbullonin prodhimet nëpër pirgje në muajin e tretë dhe përfunduan në muajin e shtatë. Kur Ezekia dhe prijësit erdhën e panë pirgjet, bekuan Zotin dhe popullin e Izraelit. Mandej Ezekia pyeti priftërinjtë dhe levitët për pirgjet. Kryeprifti Azarjah, prej shtëpisë së Cadokut, i tha: «Që kur populli filloi të sjellë dhuratat në tempullin e Zotit, kemi ngrënë, jemi ngopur dhe na kanë tepruar shumë, sepse Zoti e ka bekuar popullin e tij. Ja, sa shumë gjëra kanë tepruar». Atëherë Ezekia u dha urdhër të bënin gati disa qilarë në tempullin e Zotit dhe ata i bënë. Atje futën me ndershmëri dhuratat, të dhjetat dhe kushtimet e dhëna. Mbikëqyrës ishte leviti Konanjah dhe zëvendës i tij ishte Shimei, i vëllai. Mbikëqyrës të tjerë nën urdhrat e Konanjahut e vëllait të tij Shimeit ishin Jehieli, Azazjahu, Nahati, Asaheli, Jerimoti, Jozabadi, Elieli, Ismakjahu, Mahati dhe Benajahu, sipas urdhrit të mbretit Ezeki dhe Azarjahut, kryepriftit të tempullit të Perëndisë. Koreu, biri i levitit Imnah, derëtar i Portës Lindore, mbikëqyrte kushtimet e bëra për Perëndinë vullnetarisht dhe ndante kushtimet e bëra për Zotin dhe kushtimet e gjërave më të shenjta. Nën urdhrat e Koreut ishin Edeni, Minjamini, Jeshuai, Shemajahu, Amarjahu dhe Shekanjahu. Ata banonin në qytetet priftërore që t'u ndanin dhuratat me ndershmëri vëllezërve të tyre sipas rangut, nga më të mëdhenjtë te më të vegjlit, me përjashtim të meshkujve të regjistruar në librat gjenealogjikë nga tre vjeç e lart e që shkonin në tempullin e Zotit për të kryer shërbesat e përditshme sipas shërbimit që kryenin dhe sipas rangut. Regjistrimi i priftërinjve ishte bërë sipas familjeve të tyre, ndërsa i levitëve sipas shërbimit që kryenin dhe sipas rangjeve të tyre, nga njëzet vjeç e lart. Ata ishin të regjistruar me të gjithë fëmijët, me gratë, me bijtë e bijat, si gjithë bashkësia, mjafton që të ishin shenjtëruar me besnikëri. Edhe për priftërinjtë, pasardhësit e Aronit, që banonin nëpër fushat dhe fshatrat përreth qyteteve priftërore, ishin caktuar njerëz me emër për t'u ndarë pjesën e caktuar të gjithë meshkujve të familjeve priftërore, si edhe të gjithë levitëve të regjistruar në librat gjenealogjikë. Kështu veproi Ezekia në mbarë Judën dhe bëri çka është e mirë, e drejtë dhe e vërtetë para Zotit, Perëndisë së tij. Ezekia e bëri me zemër çdo punë që ndërmori për shërbimin në tempullin e Perëndisë, për zbatimin e ligjit dhe të urdhërimeve, prandaj edhe i shkoi mbarë. Pas këtyre ngjarjeve plot besnikëri, erdhi Sankeribi, mbreti i Asirisë, për të sulmuar Judën dhe rrethoi qytetet e fortifikuara për t'i pushtuar. Kur Ezekia pa se Sankeribi kishte ardhur me qëllim që të sulmonte Jerusalemin, vendosi me prijësit dhe me luftëtarët e tij të mbyllte grykat e burimeve të ujit që ishin jashtë qytetit dhe ata e përkrahën. U mblodhën shumë njerëz e shkuan për të mbyllur burimet dhe përroin, që rridhte mes përmes vendit, sepse menduan: «Pse të vijnë mbretërit e Asirisë e të gjejnë ujë me shumicë?». Atëherë mbreti mori zemër dhe rindërtoi të gjitha pjesët e rrënuara të murit të qytetit. Ngriti kulla mbi të dhe ndërtoi një mur tjetër jashtë tij. Ai fortifikoi edhe Milonë në qytetin e Davidit dhe prodhoi shumë armë e shqyte. Caktoi edhe disa prijës ushtarakë për të udhëhequr popullin. Pastaj i mblodhi pranë vetes në sheshin e portave të qytetit për t'u dhënë zemër e u tha: «Bëhuni trima e kini guxim! Mos kini frikë e mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë dhe nga ushtria e tij e madhe, sepse ne kemi një fuqi më të madhe se ai. Ai ka një ushtri njerëzish prej mishi, ndërsa ne kemi Zotin, Perëndinë tonë, që na ndihmon e lufton për ne. Fjalët e Ezekisë, mbretit të Judës, i dhanë forcë popullit». Pas këtyre ndodhive, Sankeribi, mbreti i Asirisë, ndërsa mbante të rrethuar Lakishin me gjithë forcat e tij luftarake, dërgoi shërbëtorët e tij në Jerusalem për t'i thënë Ezekisë, mbretit të Judës, e mbarë populli të Jerusalemit, këto fjalë: «Kështu thotë Sankeribi, mbreti i Asirisë: “Ku e keni varur shpresën, që qëndroni të rrethuar në Jerusalem? Ezekia po ju mashtron duke ju thënë se Zoti, Perëndia juaj, do t'ju çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë dhe po ju çon drejt vdekjes nga uria dhe etja. A nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën dhe Jerusalemin të adhurojnë e të kushtojnë fli vetëm para një altari? Pse, a nuk e dini çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi mbarë popujve të tokës? A ia dolën perënditë e kombeve të tokës t'i shpëtonin vendet e tyre nga zgjedha ime? Kush nga perënditë e këtyre kombeve të shfarosur nga etërit e mi ia doli ta çlironte popullin e vet nga zgjedha ime, që Perëndia juaj të mund t'ju shpëtojë ju nga unë? Prandaj, të mos tallet me ju Ezekia e të mos ju mashtrojë më këtë gjë. Mos i besoni, sepse asnjë nga perënditë e ndonjë populli apo mbretërie nuk ia doli ta shpëtojë popullin e vet nga zgjedha ime dhe nga zgjedha e etërve të mi. Aq më pak Perëndia juaj do të mund t'ju çlirojë prej meje”». Shërbëtorët e Sankeribit thanë edhe fjalë të tjera kundër Zotit Perëndi dhe kundër Ezekisë, shërbëtorit të tij. Sankeribi shkroi edhe letra fyese kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, ku thoshte: «Ashtu si perënditë e kombeve të tokës nuk i shpëtuan popujt e tyre nga zgjedha ime, edhe Perëndia i Ezekisë nuk do ta shpëtojë dot popullin e tij». Të dërguarit e Sankeribit bërtitën me zë të lartë në judaisht, kur u folën banorëve të Jerusalemit të mbledhur nëpër muret e qytetit, që t'u fusnin frikën dhe tmerrin e kështu të merrnin qytetin. Ata folën për Perëndinë e Jerusalemit siç kishin folur për perënditë e popujve të tokës që janë sajesa njerëzore. Mbreti Ezeki dhe profeti Isai, biri i Amosit, u lutën për këtë gjë dhe klithën drejt qiellit. Atëherë Zoti dërgoi një engjëll, i cili i shfarosi të gjithë luftëtarët trima dhe krerët ushtarakë në fushimin e mbretit të Asirisë. Sankeribi u kthye në vendin e tij i turpëruar dhe, kur shkoi në tempullin e perëndisë së tij, disa nga bijtë e tij e vranë me shpatë. Kështu, Zoti e shpëtoi Ezekinë dhe banorët e Jerusalemit prej Sankeribit, mbretit të Asirisë, dhe prej të gjithë armiqve. Ai i dha paqe nga të gjitha anët. Të shumtë qenë ata që i kushtuan dhurata Zotit në Jerusalem e i dhuruan sende të çmuara Ezekisë, mbretit të Judës, i cili që atëherë u madhërua në sytë e tërë kombeve. Në atë kohë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit dhe Zoti e dëgjoi e i bëri një mrekulli. Por Ezekia nuk iu përgjigj bamirësisë që iu bë, sepse iu rrit mendja. Prandaj, mbi të, mbi Judën dhe mbi Jerusalemin ra zemërimi i Zotit. Atëherë Ezekia dhe banorët e Jerusalemit u penduan për krenarinë e zemrës së tyre dhe kështu zemërimi i Zotit nuk ra mbi ta gjatë sundimit të Ezekisë. Ezekia fitoi shumë pasuri e lavdi. Ai ndërtoi dhoma thesari për argjendin, arin, gurët e çmuar, për erërat e mira, për shqytet dhe për sendet e çmuara. Ndërtoi edhe drithnikë për drithërat, për verën e vajin, stalla për çdo lloj gjedhi dhe vathë për delet. Ezekia ndërtoi qytete dhe kishte tufa të panumërta bagëtish të imëta e të trasha, sepse Perëndia i kishte dhënë shumë pasuri. Ky është Ezekia që e mbylli burimin e sipërm të ujërave të Gihonit dhe e kaloi rrjedhën e tyre poshtë në perëndim të qytetit të Davidit. Ezekisë i shkuan të gjitha punët mbarë. Por, kur prijësit e Babilonisë dërguan disa njerëz për të parë mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi Ezekinë për ta vënë në provë e për të parë ç'kishte në zemër. Bëmat e tjera të Ezekisë dhe besnikëria e tij janë të shkruara në librin e Vegimeve të profetit Isai, birit të Amosit, dhe në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës e të Izraelit. Ezekia u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në pjesën e sipërme të varreve të pasardhësve të Davidit. Mbarë populli i Judës dhe banorët e Jerusalemit e varrosën Ezekinë me nderime. Në vend të tij mbretëroi i biri, Manaseu. Manaseu ishte dymbëdhjetë vjeç, kur u bë mbret i Judës dhe mbretëroi për pesëdhjetë e pesë vjet në Jerusalem. Manaseu bëri çka është keq në sytë e Zotit, duke ndjekur doket e pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Ai rindërtoi faltoret në vende të larta që ati i tij, Ezekia, i kishte shkatërruar. Ngriti altarë për Baalin, punoi shtylla të Asherasë, adhuroi tërë yjet e qiellit e u shërbeu. Ndërtoi altarë edhe brenda tempullit të Zotit, për të cilin vetë Zoti kishte thënë: «Në Jerusalem do të jetë emri im në amshim». Ai i ndërtoi altarë mbarë ushtrisë qiellore në të dyja tremet e tempullit të Zotit. Manaseu kushtoi edhe bijtë e vet si fli në zjarr në luginën e Ben Hinomit, u mor me shortari e me magji të çdo lloji, u këshillua me ata që thërrasin shpirtra të vdekurish e me shortarë dhe bëri aq shumë ligësi para syve të Zotit, sa e ndezi zemërimin e tij. Ai punoi edhe një idhull dhe e vuri në tempullin e Perëndisë, për të cilin Perëndia i kishte thënë Davidit dhe Solomonit, birit të Davidit: «Në këtë tempull dhe në Jerusalem, që e zgjodha ndër të gjitha fiset e Izraelit, unë do të vendos emrin tim në amshim. Unë nuk do të lejoj që këmbët e izraelitëve të enden larg kësaj toke, të cilën ua dhashë paraardhësve tuaj, veçse me kushtin që ata të zbatojnë të gjitha urdhërimet, mbarë ligjin, rregullat dhe vendimet, që u dhashë me anë të Moisiut». Por Manaseu joshi Judën dhe banorët e Jerusalemit të bënin ligësi më shumë se kombet që Zoti kishte shkatërruar para syve të izraelitëve. Zoti i foli Manaseut dhe popullit të tij, por ata nuk deshën ta dëgjonin. Atëherë Zoti dërgoi kundër tyre prijësit e ushtrisë së mbretit të Asirisë. Ata e kapën Manaseun, i vunë pranga hekuri, e lidhën me zinxhirë prej bronzi dhe e çuan në Babiloni. Kur ra ngushtë, Manaseu iu lut Zotit, Perëndisë së tij, dhe e përuli veten shumë para Perëndisë së etërve të tij. Iu lut e iu përgjërua Zotit e Zoti pati mëshirë për të dhe e ktheu në Jerusalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manaseu e kuptoi se Zoti ishte Perëndi. Mandej Manaseu rindërtoi murin e jashtëm të qytetit të Davidit, i cili kalonte në perëndim të Gihonit, shtrihej nëpër luginë deri te Porta e Peshqve dhe përfshinte Ofelin. Murin e bëri shumë të lartë dhe në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës caktoi prijës ushtarakë. Ai hoqi perënditë e huaja dhe idhujt prej tempullit të Zotit, shkatërroi altarët që kishte ndërtuar në malin e tempullit të Zotit e në Jerusalem dhe i hodhi jashtë qytetit. Mandej rivendosi altarin e Zotit dhe kushtoi mbi të fli paqtimi e falënderimi dhe urdhëroi popullin e Judës t'i shërbente Zotit, Perëndisë së Izraelit. E megjithatë populli vazhdoi të kushtonte nëpër faltoret në vende të larta, ndonëse i kushtonin vetëm Zotit, Perëndisë së tyre. Bëmat e tjera të Manaseut, lutja që i bëri Perëndisë së tij dhe fjalët që i thanë vegimtarët në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Lutja, përgjërimi, mëkatet dhe paudhësitë e tij, si edhe vendet ku ndërtoi faltoret në vende të larta, ku bëri shtyllat e Asherasë dhe idhujt, para të cilëve u përkul, janë të shkruara në librin e Hozait. Manaseu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në pallatin e vet. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni. Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për dy vjet në Jerusalem. Amoni bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Manaseu. Ai u kushtoi fli të gjithë idhujve, që kishte bërë Manaseu, dhe u shërbeu. Amoni nuk e përuli veten para Zotit, siç kishte bërë i ati, Manaseu, por mëkatoi edhe më shumë. Shërbëtorët e Amonit ngritën krye kundër tij dhe e vranë në pallatin e vet, por populli i vendit i vrau të gjithë ata që kishin ngritur krye kundër mbretit Amon. Në vend të tij bënë mbret të birin, Josinë. Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tridhjetë e një vjet në Jerusalem. Ai bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi në çdo hap udhën e Davidit, paraardhësit të tij, pa iu shmangur as djathtas, as majtas. Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, teksa ishte ende djalosh, ai filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, paraardhësit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi të spastronte Judën dhe Jerusalemin prej faltoreve në vende të larta, prej shtyllave të Asherasë, prej shëmbëlltyrave të gdhendura dhe prej idhujve prej metali. Para syve të tij u shkatërruan altarët e Baalëve bashkë me altarët e temjanit mbi to. Shtyllat e Asherasë, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe idhujt prej metali i copëtoi e i bëri pluhur dhe pluhurin e tyre e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin kushtuar fli. Eshtrat e priftërinjve i dogji mbi altarët e tyre, duke pastruar kështu Judën dhe Jerusalemin. Josia bëri të njëjtën gjë edhe në qytetet e Manaseut, të Efraimit, të Simeonit e deri në qytetet e Neftaliut, kudo nëpër shtëpitë e tyre. Shkatërroi altarët, ndërsa shtyllat e Asherasë dhe shëmbëlltyrat e gdhendura i copëtoi dhe i bëri pluhur. Rrënoi të gjithë altarët ku kushtohej temjan anekënd tokës së Izraelit dhe u kthye në Jerusalem. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, pasi spastroi vendin dhe tempullin, mbreti Josi dërgoi Shafanin, të birin e Acaljahut, Masejahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, të birin e Jehoahazit, shkresarin, për të ndrequr tempullin e Zotit, Perëndisë së tij. Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe i dhanë paratë e hedhura për tempullin e Perëndisë, që portarët levitë kishin mbledhur nga Manaseu e Efraimi, nga pjesa tjetër e Izraelit, nga mbarë Juda e Benjamini dhe nga banorët e Jerusalemit. Paratë ua dhanë përgjegjësve të punëtorëve, që ishin caktuar për tempullin e Zotit, e ata ua dhanë punëtorëve që po kryenin meremetimet e dëmtimeve të tempullit të Zotit. Ata ua dhanë marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe dru për trarët e tempullit që mbretërit paraardhës të Judës e kishin shkatërruar. Të gjithë këta burra punonin me ndershmëri. Mbikëqyrës të punëtorëve ishin levitët Jahat dhe Abdi, pasardhës të Merarit, si edhe Zakaria e Meshulami, pasardhës të kohatitëve. Të gjithë levitët, që ishin mjeshtra të veglave muzikore, mbikëqyrnin mbartësit dhe drejtonin të gjithë ata që bënin punë të ndryshme. Disa prej levitëve ishin shkrues, kujdestarë dhe derëtarë. Teksa dorëzonin paratë që ishin hedhur në tempullin e Zotit, prifti Hilkiah gjeti rrotullën e ligjit të Zotit, dhënë përmes Moisiut. Hilkiahu i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e Zotit rrotullën e ligjit». Hilkiahu ia dha rrotullën Shafanit. Shafani ia solli rrotullën mbretit, e njoftoi e i tha: «Gjithçka që urdhërove të bëhet, shërbëtorët e tu po e kryejnë. Paratë që u gjetën në tempull i mblodhën e ua dhanë përgjegjësve dhe punëtorëve». Pastaj Shafani, shkruesi, i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha këtë rrotull». Shafani ia lexoi rrotullën mbretit. Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, shqeu rrobat. Atëherë ai i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: «Shkoni e këshillohuni me Zotin për mua, për pjesën e mbetur të Izraelit dhe për mbarë Judën, në lidhje me fjalët e kësaj rrotulle që gjetëm. Zemërimi i Zotit kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e Zotit për të zbatuar gjithçka është shkruar në këtë rrotull». Atëherë Hilkiahu bashkë me ata që kishte dërguar mbreti shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tokahatit, të birit të Hasraut, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. Ata folën me të e ajo u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini se kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë mallkimet e rrotullës që u lexua para mbretit të Judës, sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me të gjitha veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me Zotin, do t'i thoni: kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Perëndisë sapo dëgjove fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, meqenëse u përule para meje, shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë Zoti. “Ja, unë do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë. Atëherë mbreti dërgoi lajm të mblidhej e gjithë pleqësia e Judës dhe e Jerusalemit. Mbreti shkoi në tempullin e Zotit bashkë me të gjithë banorët e Judës e të Jerusalemit, priftërinjtë, levitët e mbarë popullin, të madh e të vogël. Mbreti lexoi para tyre të gjitha fjalët e rrotullës së besëlidhjes që ishte gjetur në tempullin e Zotit. Pastaj mbreti qëndroi në vendin e tij të zakonshëm dhe bëri një besëlidhje para Zotit, për të ecur udhës së Zotit dhe për të mbajtur urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tij me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duke i përmbushur të gjitha fjalët e asaj besëlidhjeje, ashtu siç ishin shkruar në atë rrotull. Ai u kërkoi të gjithë atyre që u gjendën në Jerusalem dhe në Benjamin, t'i qëndronin besnikë besëlidhjes. Banorët e Jerusalemit vepruan sipas besëlidhjes së Perëndisë së etërve të tyre. Josia zhduku të gjitha gjërat e neveritshme nga të gjitha trojet, që i përkisnin Izraelit, dhe i detyroi të gjithë ata që jetonin në Izrael t'i shërbenin Zotit, Perëndisë së tyre. Kështu, sa qe gjallë Josia ata nuk u larguan nga Zoti, Perëndia i etërve të tyre. Josia kremtoi Pashkën në nder të Zotit në Jerusalem. Pashkën e flijuan në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. Josia u caktoi detyrat priftërinjve dhe i nxiti të shërbenin në tempullin e Zotit. Levitëve, të shenjtëruarve të Zotit, që kishin për detyrë të mësonin popullin, u tha: «Vendoseni arkën e shenjtë në tempullin që ndërtoi Solomoni, biri i Davidit, mbretit të Izraelit. Që tani e tutje nuk do ta mbartni më arkën në krahë dhe do të jeni në shërbim të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe të popullit të tij, Izraelit. Ndahuni sipas vëllazërive e sipas rangjeve tuaja, ashtu siç ka shkruar Davidi, mbreti i Izraelit, dhe biri i tij, Solomoni. Të ndarë sipas rangjeve të levitëve, shërbejuni në shenjtërore bijve të popullit tuaj, sipas ndarjeve dhe sipas klaneve të vëllazërive. Kushtoni Pashkën, shenjtërohuni dhe vihuni në shërbim të vëllezërve tuaj, për të zbatuar fjalën e Zotit që u dha përmes Moisiut». Josia i dhuroi popullit që ndodhej aty për të kremtuar Pashkën tridhjetë mijë bagëti të imëta, qengja e keca, dhe tri mijë bagëti të trasha, të gjitha nga pasuria e mbretit. Edhe zyrtarët e mbretit i dhuruan popullit, priftërinjve e levitëve. Hilkiahu, Zakaria e Jehieli, zyrtarët e tempullit të Perëndisë u dhanë priftërinjve dy mijë e gjashtëqind qengja dhe treqind bagëti të trasha për të kushtuar Pashkën. Prijësit e levitëve, Konanjahu, Shemajahu e Netaneli, vëllezërit e tij, Hashabiahu, Jejeli e Jozabadi u dhuruan levitëve pesë mijë qengja për të kushtuar Pashkën dhe pesëqind bagëti të trasha. Kështu, shërbesa ishte gati. Priftërinjtë kishin zënë vendet dhe levitët ishin ndarë në rangje, sipas urdhrit të mbretit. Pastaj kushtuan Pashkën. Priftërinjtë e merrnin gjakun nga duart e tyre për të kryer spërkatjen, ndërsa levitët kryenin rrjepjen. Flitë e shkrumbimit i ndanë veç e ia dhanë popullit sipas klaneve për t'ia kushtuar Zotit, siç është shkruar në librin e Moisiut. Të njëjtën gjë bënë edhe me bagëtitë e trasha. Flinë e Pashkës e poqën në zjarr sipas rregullave, ndërsa flitë e shenjta i zien nëpër kusi, nëpër kazanë e nëpër tiganë dhe ia shpërndanë menjëherë mbarë popullit. Mandej levitët përgatitën pjesën që u takonte priftërinjve dhe vetë atyre, sepse priftërinjtë, që ishin pasardhës të Aronit, kushtuan fli shkrumbimi e dhjami deri në mbrëmje. Prandaj, levitët përgatitën pjesën që u takonte vetë atyre dhe priftërinjve, pasardhësve të Aronit. Këngëtarët, pasardhësit e Asafit, qëndruan në vendet e tyre, sipas udhëzimeve të Davidit, të Asafit, të Hemanit e të Jedutunit, vegimtarit të mbretit. Edhe derëtarët qëndruan te portat dhe askujt nuk i lejohej të largohej nga shërbimi. Levitët, vëllezërit e tyre, bënë gati edhe pjesën që u takonte atyre. Atë ditë tërë shërbesa e Zotit u përgatit për të kremtuar Pashkën dhe për të kushtuar flitë e shkrumbimit mbi altarin e Zotit, sipas urdhrit të mbretit Josi. Izraelitët që u ndodhën aty e kremtuan Pashkën dhe festën e Bukëve të ndorme për shtatë ditë. Një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar në Izrael që nga koha e profetit Samuel. Asnjë nga mbretërit e mëparshëm të Izraelit nuk e kishte kremtuar Pashkën si Josia me priftërinjtë, me levitët, me mbarë popullin e Judës dhe të Izraelit, që ishte gjendur aty, dhe me banorët e Jerusalemit. Ajo Pashkë u kremtua në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josisë. Pas këtyre ngjarjeve, pasi Josia kishte përtërirë tempullin, Nekohu, mbreti i Egjiptit, erdhi për të sulmuar në Karkemish, në brigjet e Eufratit. Josia marshoi kundër tij. Nekohu i dërgoi lajmëtarë Josisë për t'i thënë: «Nuk kam punë me ty, o mbret i Judës! Nuk do ta sulmoj sot shtëpinë tënde, sepse jam nisur për të luftuar kundër një shtëpie tjetër e Perëndia më ka thënë të shkoj me nxitim. Mos e kundërshto, pra, Perëndinë, sepse është me mua dhe ka për të të shkatërruar». Por Josia nuk u tërhoq. U maskua e u nis për sulm, pa ua vënë veshin fjalëve të Perëndisë të thëna prej Nekohut. Kështu, Josia shkoi të ndeshet me Nekohun në luginën e Megidosë. Por Josia mbeti i plagosur nga shigjetarët, prandaj u kërkoi shërbëtorëve të tij ta largonin nga beteja, sepse ishte plagosur rëndë. Shërbëtorët e zbritën nga karroca e luftës, e hipën në një karrocë tjetër dhe e sollën në Jerusalem. Josia vdiq dhe e varrosën në varret e paraardhësve të tij. Mbarë Juda dhe Jerusalemi vajtuan për Josinë. Edhe Jeremia shkroi një vajtim për Josinë. Të gjithë vajtuesit dhe vajtueset e përkujtojnë Josinë në vajtimet e tyre edhe sot e kësaj dite. Këto vajtime u bënë pjesë e dokeve të Izraelit dhe u shkruan në librin e Vajtimeve. Bëmat e tjera të Josisë, besnikëria e tij ndaj gjithçkaje të shkruar në ligjin e Zotit, veprat e tij, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit e të Judës. Populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josisë, dhe e vuri të mbretëronte në Jerusalem, në vend të të atit. Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi vetëm tre muaj në Jerusalem. Nekohu, mbreti i Egjiptit, e hoqi Jehoahazin nga Jerusalemi, e burgosi dhe i caktoi vendit një tagër prej tre mijë kilogramë argjendi dhe tridhjetë kilogramë ari. Mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jerusalemit Eliakimin, vëllanë e Jehoahazit, të cilit ia ndryshoi emrin në Jehojakim. Jehoahazin, të vëllanë e Jehojakimit, Nekohu e mori rob në Egjipt. Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem dhe bëri çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë së tij. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e sulmoi Jehojakimin dhe e lidhi me zinxhirë prej bronzi për ta çuar në Babiloni. Nabukodonosori mori edhe një pjesë të pajisjeve të tempullit të Zotit, i çoi në Babiloni dhe i vuri në pallatin e tij. Bëmat e tjera të Jehojakimit, veprat e tij të neveritshme dhe gjërat e tjera në lidhje me të janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit e të Judës. Në vend të tij mbretëroi Jehojakini, i biri. Jehojakini ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tre muaj e dhjetë ditë në Jerusalem. Jehojakini bëri çka është keq në sytë e Zotit. Në krye të vitit, Nabukodonosori dërgoi njerëz që ta sillnin në Babiloni bashkë me sendet e çmuara të tempullit të Zotit. Nabukodonosori caktoi si mbret të Judës dhe të Jerusalemit Sedekinë, vëllanë e Jehojakinit. Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, dhe nuk u përul para profetit Jeremi që fliste në emër të Zotit. Sedekia ngriti krye edhe kundër mbretit Nabukodonosor, ndonëse ai e kishte detyruar t'i betohej për Perëndinë. Sedekia u bë kokëfortë e zemërgur dhe nuk u kthye drejt Zotit, Perëndisë së Izraelit. Edhe tërë krerët e priftërinjve bashkë me popullin i shtuan paudhësitë e tyre dhe ndoqën zakonet e pështira të kombeve, duke përdhosur tempullin e Zotit që ai vetë e kishte shenjtëruar në Jerusalem. Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi që në fillim lajmëtarët e vet për t'i qortuar çdo herë, sepse i dhimbsej populli dhe banesa e vet. Por ata i përqeshnin të dërguarit e Perëndisë, i përbuznin fjalët e tij dhe talleshin me profetët e tij. Prandaj Zoti u zemërua aq shumë kundër popullit të tij, saqë nuk kishte më mundësi shpëtimi. Atëherë Zoti dërgoi kundër tyre mbretin e kaldenjve, i cili ua vrau djemtë me shpatë në shenjtëroren e Zotit e nuk pati mëshirë as për të rinjtë, as për të rejat, as për të rriturit e as për pleqtë. Zoti i la të gjithë në mëshirën e mbretit të kaldenjve. Mbreti Nabukudonosor i mori të gjitha pajisjet e tempullit të Perëndisë, të mëdha e të vogla, thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e mbretit e të fisnikëve të tij e i çoi të gjitha në Babiloni. Mandej i vunë flakën tempullit të Perëndisë, rrëzuan muret e Jerusalemit, dogjën të gjitha pallatet e tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë. Ata që i shpëtuan shpatës, mbreti i treti në mërgim në Babiloni dhe u bënë skllevër për të e për bijtë e tij, derisa u themelua mbretëria e persëve. Kështu u përmbush fjala e Zotit thënë me gojën e Jeremisë se toka do të rrinte e shkretë për shtatëdhjetë vjet, derisa të shpaguheshin të shtunat që nuk ishin mbajtur. Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, Zoti përmbushi atë që kishte thënë përmes Jeremisë dhe e nxiti shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, të shpallte në mbarë mbretërinë e tij këtë vendim të shkruar: «Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Perëndia i qiellit, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe më ka urdhëruar të ndërtoj për të një tempull në Jerusalem të Judës. Kush nga ju i përket popullit të tij, të kthehet atje dhe Zoti, Perëndia i tij qoftë me të!». Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, për të përmbushur atë që kishte thënë përmes Jeremisë, Zoti e nxiti shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, të shpallte në mbarë mbretërinë e tij këtë vendim të shkruar: «Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Perëndia i qiellit, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe më ka urdhëruar të ndërtoj për të një tempull në Jerusalem të Judës. Kush nga ju i përket popullit të tij, Zoti, Perëndia i tij qoftë me të! Le të kthehet në Jerusalem të Judës dhe të ndërtojë tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, Perëndisë që është në Jerusalem. Të gjithë ata që kanë mbetur gjallë prej këtij populli, kudo qofshin, le të ndihmohen nga njerëzit e vendeve, ku ata banojnë, me ar e me argjend, me pasuri, me bagëti e me dhurata, për të ndërtuar tempullin e Perëndisë në Jerusalem». Atëherë krerët e vëllazërive të Judës e të Benjaminit, priftërinjtë e levitët, si dhe të gjithë ata që Perëndia i kishte frymëzuar në shpirt, u ngritën e u nisën për të ndërtuar tempullin e Zotit në Jerusalem. Të gjithë fqinjët i ndihmuan me sende argjendi, me ar, me pasuri, me bagëti e me gjëra të çmuara, bashkë me të gjitha dhuratat vullnetare. Edhe mbreti Kir nxori të gjitha enët e tempullit të Zotit që Nabukodonosori kishte marrë prej Jerusalemit e i kishte vënë në tempullin e perëndisë së vet. Kiri, mbreti i Persisë, ia dorëzoi ato Mitredatit, thesarmbajtësit, e ky ia dha me numër Sheshbacarit, princit të Judës. Ja numri i tyre: tridhjetë legenë ari, një mijë legenë argjendi, njëzet e nëntë thika, tridhjetë kupa ari, katërqind e dhjetë kupa argjendi dhe një mijë enë të tjera. Tërë enët prej ari e prej argjendi ishin pesë mijë e katërqind. Të gjitha këto Sheshbacari i mori me vete, kur të mërguarit u kthyen nga Babilonia në Jerusalem. Këta janë njerëzit e asaj krahine që u kthyen nëpër qytetet e tyre në Jerusalem e në Judë prej robërisë në Babiloni, ku i kishte degdisur Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Ata që erdhën me Zorobabelin ishin Jozuehu, Nehemia, Serajahu, Relajahu, Mordakai, Bilshani, Mispari, Bigvai, Rehumi dhe Banahu. Ja numri i burrave të popullit të Izraelit: bijtë e Faroshit, dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e dy; bijtë e Shefatjahut, treqind e shtatëdhjetë e dy; bijtë e Arahut, shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë; bijtë e Pahat Moabit, domethënë bijtë e Jozuehut e të Joabit, dy mijë e tetëqind e dymbëdhjetë; bijtë e Elamit, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër; bijtë e Zatuit, nëntëqind e dyzet e pesë; bijtë e Zakait, shtatëqind e gjashtëdhjetë; bijtë e Baniut, gjashtëqind e dyzet e dy; bijtë e Bebait, gjashtëqind e njëzet e tre; bijtë e Azgadit, një mijë e dyqind e njëzet e dy; bijtë e Adonikamit, gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë; bijtë e Bigvait, dy mijë e pesëdhjetë e gjashtë; bijtë e Adinit, katërqind e pesëdhjetë e katër; bijtë e Aterit të Ezekisë, nëntëdhjetë e tetë; bijtë e Becait, treqind e njëzet e tre; bijtë e Jorahut, njëqind e dymbëdhjetë; bijtë e Hashumit, dyqind e njëzet e tre; bijtë e Gibarit, nëntëdhjetë e pesë; bijtë e Betlehemit, njëqind e njëzet e tre; bijtë e Netofahut, pesëdhjetë e gjashtë; burrat e Anatotit, njëqind e njëzet e tetë; bijtë e Azmavetit, dyzet e dy; bijtë e Kirjat Arimit, të Kefirahut dhe të Berotit, shtatëqind e dyzet e tre; bijtë e Ramahut e të Gebait, gjashtëqind e njëzet e një; burrat e Mikmasit, njëqind e njëzet e dy; burrat e Betelit dhe të Ajit, dyqind e njëzet e tre; bijtë e Neboit, pesëdhjetë e dy; bijtë e Magbishit, njëqind e pesëdhjetë e gjashtë; bijtë e Elamit tjetër, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër; bijtë e Harimit, treqind e njëzet; bijtë e Lodit, të Hadidit e të Onosë, shtatëqind e njëzet e pesë; bijtë e Jerikosë, treqind e dyzet e pesë; dhe bijtë e Senahut, tre mijë e gjashtëqind e tridhjetë. Priftërinjtë ishin këta: bijtë e Jedajahut, domethënë të shtëpisë së Jozuehut, nëntëqind e shtatëdhjetë e tre; bijtë e Imerit, një mijë e pesëdhjetë e dy; bijtë e Pashhurit, një mijë e dyqind e dyzet e shtatë; dhe bijtë e Harimit, një mijë e shtatëmbëdhjetë. Levitët, bijtë e Jozuehut dhe të Kadmielit, prej bijve të Hodavjahut, ishin shtatëdhjetë e katër. Këngëtarët, bijtë e Asafit, ishin njëqind e njëzet e tetë. Bijtë e rojtarëve, domethënë bijtë e Aterit, bijtë e Talmonit, bijtë e Akubit, bijtë e Hatitait, bijtë e Shobait, ishin njëqind e tridhjetë e nëntë. Shërbestarët e tempullit ishin bijtë e Cihasë, bijtë e Hasupait, bijtë e Tabaotit, bijtë e Kerosit, bijtë e Sijahait, bijtë e Padonit, bijtë e Lebanahut, bijtë e Hagabahut, bijtë e Akubit, bijtë e Hagabit, bijtë e Shalmait, bijtë e Hananit, bijtë e Gidelit, bijtë e Gaharit, bijtë e Reajahut, bijtë e Recinit, bijtë e Nekodait, bijtë e Gazamit, bijtë e Uzait, bijtë e Paseahut, bijtë e Besait, bijtë e Asnahut, bijtë e Meunimit, bijtë e Nefusimit, bijtë e Bakbukut, bijtë e Hakufait, bijtë e Harhurit, bijtë e Baclutit, bijtë e Mehidait, bijtë e Harshait, bijtë e Barkosit, bijtë e Siserit, bijtë e Temahut, bijtë e Neziahut dhe bijtë e Hatifait. Bijtë e shërbëtorëve të Solomonit ishin bijtë e Sotait, bijtë e Hasoferetit, bijtë e Peridait, bijtë e Jalait, bijtë e Darkonit, bijtë e Gidelit, bijtë e Shefatjahut, bijtë e Hatilit, bijtë e Pokeret Hacbajimit dhe bijtë e Amonit. Tërë shërbëtorët e tempullit dhe bijtë e shërbëtorëve të Solomonit ishin treqind e nëntëdhjetë e dy. Këta janë të kthyerit nga Tel Melahu, nga Tel Harshai, nga Kerub Adoni e nga Imeri, të cilët nuk qenë në gjendje të tregonin pasardhësit e cilës shtëpi ishin, për të vërtetuar se ishin izraelitë. Ata ishin bijtë e Delajahut, bijtë e Tobisë, bijtë e Nekodait, gjithsej gjashtëqind e pesëdhjetë e dy. Nga priftërinjtë ishin bijtë e Hobajahut, bijtë e Hakocit, bijtë e Barzilait. Ai kishte marrë për grua njërën nga të bijat e Barzila Gileaditit dhe mbante emrin e tyre. Këta e kërkuan regjistrin ku duhej të ishin shënuar, por nuk e gjetën, prandaj u përjashtuan nga priftëria dhe qeveritari u tha të mos i hanin ushqimet e kushtuara deri kur të vinte prifti me Urim e Tumim. Tërë bashkësia e mbledhur kishte dyzet e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë vetë, përveç skllevërve e skllaveve që ishin shtatë mijë e treqind e tridhjetë e shtatë. Ata kishin edhe dyqind këngëtarë e këngëtare, shtatëqind e tridhjetë e gjashtë kuaj, dyqind e dyzet e pesë mushka, katërqind e tridhjetë e pesë deve e gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet gomarë. Disa prej kryefamiljarëve, kur mbërritën në tempullin e Zotit në Jerusalem, bënë dhurata për rindërtimin e tempullin të Perëndisë prej themeleve. Sipas pasurive që kishin, ata dhanë për punimet gjashtëdhjetë e një mijë monedha ari, dy mijë e pesëqind kilogramë argjend dhe njëqind tunika priftërinjsh. Priftërinjtë, levitët, derëtarët, këngëtarët, disa nga populli, të kushtuarit e të gjithë izraelitët u vendosën nëpër gjithë qytetet e Izraelit dhe në qytetet e veta. Kur erdhi muaji i shtatë, bijtë e Izraelit ishin vendosur tashmë nëpër qytete. Atëherë populli u mblodh bashkë si një trup i vetëm në Jerusalem. Atëherë u ngrit Jozuehu, biri i Jocadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj, me Zorobabelin, birin e Shealtielit, e me vëllezërit e tij, dhe ndërtuan altarin e Perëndisë së Izraelit, për të kushtuar mbi të flinë e shkrumbimit, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, njeriut të Perëndisë. E vendosën altarin mbi themelet e tij, ndonëse kishin frikë nga popujt që banonin në ato toka, dhe mbi të i kushtuan Zotit fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje. Kremtuan edhe festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe kushtuan çdo ditë fli shkrumbimi, sipas numrit të caktuar për çdo ditë, e mandej edhe flinë e përhershme të shkrumbimit, flinë për hënat e reja dhe për të kremtet e caktuara të Zotit, si edhe flitë vullnetare që i kushtoheshin Zotit. Filluan t'i kushtojnë Zotit flinë e shkrumbimit që prej ditës së parë të muajit të shtatë, ndonëse themelet e tempullit të Zotit nuk ishin hedhur ende. Ata u dhanë edhe para gurgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije e vaj sidonasve dhe tirasve, që të sillnin dru cedri nga Libani në Jopë, përmes detit, sipas lejes që kishin marrë nga Kiri, mbreti i Persisë. Dy vjet pasi kishin ardhur në tempullin e Perëndisë në Jerusalem, në muajin e dytë, Zorobabeli, biri i Shealtielit, Jozuehu, biri i Jocadakut, bashkë me vëllezërit e tjerë, priftërinj e levitë, dhe me të gjithë ata që ishin kthyer në Jerusalem prej robërisë, filluan punimet dhe për drejtimin e punimeve të tempullit të Zotit, ngarkuan levitët nga mosha njëzet vjeç e lart. Kështu, Jozuehu me bijtë dhe me vëllezërit e tij, Kadmieli dhe bijtë e tij, si edhe bijtë e Judës, morën përsipër së bashku mbikëqyrjen e punimeve të tempullit të Perëndisë. Të njëjtën gjë bënë edhe bijtë e Henadadit, si edhe bijtë dhe vëllezërit e tyre, levitët. Kur ndërtuesit hodhën themelet e shenjtërores së Zotit, u caktuan priftërinj veshur me stolitë e tyre e me bori, si edhe levitë, pasardhës të Asafit, me cimbale, që të përlëvdonin Zotin, sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit. I këndonin Zotit himne falënderimi e thoshin: «I mirë është Zoti, se mirësia e tij ndaj Izraelit mbetet përjetë». Mbarë populli brohoriste me ngazëllim dhe përlëvdonte Zotin për hedhjen e themeleve të tempullit të Zotit. Shumë prej priftërinjve, levitëve e kryefamiljarëve të moshuar, që e kishin parë tempullin e mëparshëm me sytë e tyre, qanin me zë të lartë teksa hidheshin themelet e këtij tempulli, ndërsa të tjerë brohoritnin fort nga gëzimi. Askush s'ishte në gjendje ta dallonte britmën e brohoritjes së gëzimit prej qarjes së popullit, sepse populli brohoriste me zë të lartë dhe britma dëgjohej nga larg. Kur armiqtë e Judës e të Benjaminit morën vesh se bijtë e të mërguarve po ndërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, shkuan te Zorobabeli dhe te krerët e familjeve e u thanë: «Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne e kërkojmë Perëndinë tuaj ashtu si ju dhe i kemi kushtuar fli që kur Esarhadoni, mbreti i Asirisë, na shpërnguli këtu». Por Zorobabeli, Jozuehu dhe krerët e tjerë të vëllazërive të Izraelit u thanë: «Nuk na takon ta ndërtojmë bashkë tempullin e Perëndisë tonë. Do ta ndërtojmë vetë tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, sipas urdhrit të Kirit, mbretit të Persisë». Atëherë populli i vendit filloi ta shkurajonte popullin e Judës dhe ta kërcënonte, që të mos ndërtonin. Madje paguan edhe disa këshilltarë kundër tyre, që synimet e tyre të dështonin. Kështu ngjau gjatë gjithë mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë. Në kohën e mbretërimit të Kserksit, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një padi kundër banorëve të Judës e të Jerusalemit. Në kohën e Artakserksit, Bishlami, Mitredati, Tabeli dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tyre i shkruan Artakserksit, mbretit të Persisë. Letra ishte e shkruar në aramaisht e me shkronja aramaike. Edhe Rehumi, qeveritari, bashkë me Shimshain, shkruesin, i shkruan këtë letër mbretit Artakserks për Jerusalemin: «Qeveritari Rehum, shkruesi Shimsha dhe bashkëpunëtorët e tyre, gjyqtarët, zyrtarët, nëpunësit, persët, erekitët, babilonasit, shushankitët, domethënë elamitët, si edhe popujt e tjerë, që i madhi e i lavdishmi Osnapar i shpërnguli e i vendosi në qytetet e Samarisë dhe në krahinat e tjera përtej Eufratit, ne shërbëtorët e tu, banorët e krahinës përtej lumit», shkruhej në letrën që i dërguan, «i drejtohemi mbretit Artakserks. Dëshirojmë t'i bëjmë me dije mbretit se judenjtë, që u nisën prej tij te ne, kanë mbërritur në Jerusalem dhe po e rindërtojnë këtë qytet kryengritës e të mbrapshtë. Kanë ndrequr themelet e po meremetojnë muret. Le ta dijë, pra, mbreti, se, nëse ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundojnë, ata nuk kanë për t'i paguar as tatime e as tagra dhe kjo do të jetë në dëm të thesarit të mbretit. Meqenëse ne hamë kripën e pallatit mbretëror dhe nuk na duket e ndershme të shohim poshtërimin e mbretit, po i dërgojmë këto lajme mbretit, që të kërkojë nëpër shkresat e etërve të tij. Në ato shkresa do të gjejë dhe do ta kuptojë se ky qytet është qytet kryengritës, i dëmshëm për mbretërit dhe për krahinat dhe se aty nxiten kryengritje që në kohët e lashta. Për këtë arsye u shkatërrua qyteti. I bëjmë me dije mbretit se nëse ky qytet rindërtohet e nëse muret e tij ringrihen, nuk do të ketë më zotërime në krahinën përtej lumit». Mbreti dërgoi këtë përgjigje: «Rehumit, qeveritarit, Shimshait, shkruesit, dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre, që banojnë në Samari dhe në pjesën tjetër të krahinës përtej lumit: Paqe! Tani, letra që na dërguat u lexua me kujdes para meje. Dhashë urdhër ta shqyrtojnë çështjen dhe u pa se ky qytet ka ngritur krye kundër mbretërve që në kohët e lashta dhe se në të ka pasur gjithnjë kryengritje e kundërshti. Në Jerusalem ka pasur mbretër të fuqishëm që kanë sunduar mbi gjithë krahinën përtej lumit dhe të cilëve u paguheshin detyrime, tagra e tatime. Prandaj, jepuni urdhër këtyre njerëzve të ndërpresin punimet dhe ky qytet të mos rindërtohet pa dhënë urdhër unë. Bëni kujdes të mos e lini pas dore këtë çështje, që të mos shtohet dëmi në kurriz të mbretërve». Sapo kopja e letrës së mbretit Artakserks u lexua para Rehumit, Shimshait, shkruesit, dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ata shkuan me nxitim në Jerusalem te judenjtë dhe i detyruan me forcën e armëve të ndërpritnin punimet. Kështu, puna për ndërtimin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem u ndërpre dhe nuk u krye asnjë punim deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, mbretit të Persisë. Profeti Haga dhe profeti Zakari, biri i Idoit, u profetizuan judenjve, që banonin në Judë e në Jerusalem, në emër të Perëndisë së Izraelit që ishte me ta. Atëherë u ngritën Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe Jozuehu, biri i Jocadakut, dhe filluan të ndërtonin tempullin e Perëndisë në Jerusalem, me mbështetjen e profetëve të Perëndisë. Por, në atë kohë erdhën tek ata Tatenai, qeveritari i krahinës përtej lumit, Shetar Boznai dhe bashkëpunëtorët e tyre e u thanë: «Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull e të bëni këto meremetime?». Prandaj edhe i pyetën: «Cilët janë emrat e atyre që po e ndërtojnë këtë ndërtesë?». Por mbi pleqësinë e Judës ishin sytë e Perëndisë së tyre, prandaj punimet nuk u ndalën, derisa lajmi të shkonte te Dari e të vinte përgjigja lidhur me këtë çështje. Tatenai, qeveritari i krahinës përtej lumit, Shetar Boznai, bashkëpunëtorët e tij dhe zyrtarët e krahinës përtej lumit, i shkruan një letër mbretit Dar. Ja çfarë i shkruan ata në letrën që i dërguan: «Mbretit Dar, paqe e shëndet të plotë! Le t'i bëhet me dije mbretit se kemi shkuar në krahinën e Judës, në tempullin e Perëndisë së madh që po ndërtohet me gurë të mëdhenj e me trarë nëpër mure. Punimet po bëhen me kujdes e po ecin mirë prej mjeshtërisë së tyre. Ne e pyetëm pleqësinë e tyre e u thamë: “Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull e të bëni këto meremetime?”. U kërkuam edhe emrat për të t'i njoftuar ty. Kështu, i shkruam emrat e prijësve të tyre. E ata na u përgjigjën kështu: “Ne jemi shërbëtorë të Perëndisë së qiellit e të tokës dhe po rindërtojmë tempullin që ka qenë ndërtuar para shumë kohësh dhe që e kishte ndërtuar e përfunduar një mbret i madh i Izraelit. Por, ngaqë etërit tanë ndezën zemërimin e Perëndisë së qiellit, ai i dorëzoi te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kaldeu. Ai e shkatërroi këtë tempull, ndërsa popullin e degdisi në Babiloni. Megjithatë, në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Babilonisë, vetë mbreti Kir nxori një vendim për ta rindërtuar këtë tempull të Perëndisë. Për më tepër, enët prej ari e prej argjendi të tempullit të Perëndisë, që mbreti Nabukodonosor i kishte marrë prej tempullit të Jerusalemit e i kishte vënë në tempullin e Babilonisë, mbreti Kir i mori prej tempullit të Babilonisë e ia dha dikujt që quhej Sheshbacar, të cilin e bëri edhe qeveritar. Mbreti i kishte thënë Sheshbacarit t'i merrte ato enë e t'i vendoste në tempullin e Jerusalemit dhe që tempulli i Perëndisë të ndërtohej sërish në vendin e vet. Atëherë Sheshbacari erdhi e hodhi themelet e tempullit të Perëndisë në Jerusalem. Që prej asaj kohe e deri tani tempulli po ndërtohet, por nuk ka përfunduar ende”. Tani, nëse mbreti dëshiron, le të bëhen kërkime në thesarin mbretëror të Babilonisë, për të parë nëse mbreti Kir ka nxjerrë vërtet një vendim për ndërtimin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem. Pastaj le të na bëhet i ditur vendimi i mbretit». Atëherë mbreti Dar nxori një urdhëresë që të bëheshin kërkime në arkivat ku gjendeshin thesaret e Babilonisë. Në fortesën e Ekbatanës, në krahinën e Medës, u gjet një rrotull, në të cilën ishte shkruar ky shënim: «Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbreti Kir nxori këtë vendim në lidhje me tempullin e Perëndisë në Jerusalem: le të ndërtohet tempulli, vendi ku kushtohen fli, në themelet e veta. Lartësia e tempullit të jetë tridhjetë metra dhe gjerësia tridhjetë metra. Për çdo tre radhë gurësh të mëdhenj, të ketë një radhë me dru. Shpenzimet le të paguhen nga pallati mbretëror. Për më tepër, enët prej ari dhe argjendi të tempullit të Perëndisë, që Nabukodonosori mori në Babiloni prej tempullit të Jerusalemit, të kthehen sërish në vendin e tyre, në shenjtëroren e Jerusalemit, dhe të vendosen në tempullin e Perëndisë». «Tani, pra, ti, o Tatenai, qeveritar i krahinës përtej lumit, o Shetar Boznai, ju bashkëpunëtorë e zyrtarë të krahinës përtej lumit, rrini larg atij vendi e mos i pengoni punimet e këtij tempulli të Perëndisë. Lëreni prijësin e judenjve dhe pleqësinë e tyre ta ndërtojnë këtë tempull në vendin e vet. Po lëshoj edhe një urdhëresë lidhur me çfarë duhet të bëni për pleqësinë e judenjve, që po ndërtojnë këtë tempull të Perëndisë: të ardhurat, që mblidhen nga tatimet për mbretin në krahinën përtej lumit, t'u jepen atyre pa vonesë, që të mos ndërpritet puna. Çdo gjë që mund t'u duhet për flinë e shkrumbimit për Perëndinë e qiellit, dema, desh e qengja, si edhe miell, kripë, verë e vaj, sipas kërkesës së priftërinjve të Jerusalemit, t'u jepen çdo ditë pa i lënë pas dore, në mënyrë që t'i kushtohen fli të këndshme Perëndisë së qiellit dhe lutje për jetën e mbretit dhe të bijve të tij. Po jap edhe këtë urdhër: kush e shkel këtë urdhëresë, të hiqet nga shtëpia e tij një tra, ai të varet në të dhe shtëpia t'i kthehet në vend plehrash. E Perëndia, që e ka vënë emrin e vet të banojë aty, shkatërroftë çdo mbret e popull që do ta shtrijë dorën për të dhunuar apo shkatërruar këtë tempull të Perëndisë në Jerusalem. Këtë urdhëresë e lëshova unë, Dari. Le të zbatohet me përpikëri». Atëherë Tatenai, qeveritari krahinës përtej lumit, Shetar Boznai dhe bashkëpunëtorët e tyre vepruan siç i kishte urdhëruar mbreti Dar. Pleqtë e judenjve vijuan punimet dhe përparuan të shtyrë edhe nga profecitë e profetit Haga dhe të profetit Zakari, birit të Idoit. Ata i përfunduan ndërtimet sipas urdhrit të Perëndisë së Izraelit dhe sipas urdhrit të Kirit, Darit dhe Artakserksit, mbretërve të Persisë. Tempulli përfundoi në ditën e tretë, të muajit Adar, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit. Bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe gjithë të kthyerit e tjerë prej robërisë bënë kushtimin e tempullit të Perëndisë tërë gëzim. Për kushtimin e tempullit ata kushtuan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep si fli mëkati për mbarë Izraelin, sipas numrit të fiseve të Izraelit. Mandej caktuan priftërinj, sipas rendit të tyre, dhe levitë, sipas rendit të tyre, për shërbesën e Perëndisë së Jerusalemit, siç është shkruar në librin e Moisiut. Të kthyerit prej robërisë kremtuan Pashkën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. Priftërinjtë ishin pastruar bashkë me levitët dhe të gjithë ishin të pastër. Ata therën flinë e Pashkës për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj e për vete. Izraelitët e kthyer nga robëria hëngrën Pashkën bashkë me të gjithë ata që kishin hequr dorë nga papastërtia e kombeve të vendit, për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit. Mandej kremtuan për shtatë ditë të kremten e Bukëve të ndorme, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke e prirë zemrën e mbretit të Asirisë në të mirë të tyre, që ai t'i ndihmonte për ndërtimin e tempullit të Perëndisë, Perëndisë së Izraelit. Pas këtyre ngjarjeve, gjatë sundimit të Artakserksit, mbretit të Persisë, Ezra, biri i Serajahut, të birit të Azarjahut, të birit të Hilkiahut, të birit të Shalumit, të birit të Cadokut, të birit të Ahitubit, të birit të Amarjahut, të birit të Azarjahut, të birit të Merajotit, të birit të Zerahjahut, të birit të Uziut, të birit të Bukiut, të birit të Abishuait, të birit të Finehasit, të birit të Eleazarit, të birit të Aronit, kryepriftit, pra, vetë Ezra u kthye prej Babilonisë. Ai ishte shkrues i aftë i ligjit të Moisiut, dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti ia plotësoi të gjitha kërkesat Ezrës, sepse dora e Zotit, Perëndisë së tij, ishte me të. Në vitin e shtatë të mbretërimit të Artakserksit erdhën në Jerusalem disa izraelitë, priftërinj, levitë, këngëtarë, derëtarë e shërbëtorë të tempullit. Ezra mbërriti në Jerusalem në muajin e pestë të vitit të shtatë të mbretërimit të tij. Ai u nis nga Babilonia në ditën e parë të muajit të parë dhe mbërriti në Jerusalem në ditën e parë të muajit të pestë, sepse mbi të ishte dora mirëbërëse e Perëndisë. Ezra ishte dhënë me gjithë zemër pas shqyrtimit të ligjit të Zotit, për ta zbatuar e për t'u mësuar izraelitëve rregullat dhe vendimet e tij. Kjo është letra e shkruar që mbreti Artakserks i dha priftit Ezra, shkruesit, që i njihte mirë urdhërimet dhe rregullat e Zotit për Izraelin: «Artakserksi, mbreti i mbretërve, priftit Ezra, shkruesit të ligjit të Perëndisë së qiellit, shëndet e paqe! Kam nxjerrë një urdhëresë sipas së cilës, kushdo nga populli i Izraelit, nga priftërinjtë e nga levitët, që jeton në mbretërinë time e që dëshiron të shkojë në Jerusalem, të vijë me ty. Për më tepër, ty po të dërgon vetë mbreti dhe shtatë këshilltarët e tij, për të mbikëqyrur Judën dhe Jerusalemin sipas ligjit, të Perëndisë tënd, që e ke marrë me vete, dhe për të çuar në Jerusalem argjendin e arin që mbreti dhe këshilltarët e tij i kanë dhuruar Perëndisë së Izraelit, që e ka banesën atje, si edhe tërë argjendin e arin që mund të mbledhësh në krahinën e Babilonisë, bashkë me dhuratat vullnetare të popullit e të priftërinjve për tempullin e Perëndisë në Jerusalem. Me këto para do të kujdesesh të blesh dema, desh, qengja, fli kushtimi e stërpikjeje, që t'i kushtosh mbi altarin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem. Sa për pjesën tjetër të argjendit e të arit që do të teprojë, përdore si të të duket mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tënd. Enët që t'u dhanë për shërbesën në tempullin e Perëndisë tënd, paraqiti para Perëndisë së Jerusalemit. Për çdo nevojë tjetër të tempullit të Perëndisë tënd, për të cilën do të të takojë ty të blesh, do të marrësh prej thesarit mbretëror. Unë, mbreti Artakserks, kam nxjerrë këtë urdhëresë për të gjithë thesarmbajtësit e krahinës përtej lumit: çfarëdo që të kërkojë prifti Ezra, shkruesi i ligjit të Perëndisë së qiellit, t'i jepet pa vonesë! T'i jepen deri në tre mijë kilogramë argjend, tridhjetë mijë kilogramë grurë, katër mijë litra verë, katër mijë litra vaj, si dhe kripë në sasi të pakufizuar. Çfarëdo që të ketë urdhëruar Perëndia i qiellit të zbatohet me përpikëri për tempullin e Perëndisë së qiellit, që zemërimi i tij të mos bjerë mbi mbretërinë, mbi mbretin e mbi bijtë e tij. Ju bëjmë po ashtu me dije se nuk keni të drejtë t'i kërkoni tatime, tagra e detyrime priftërinjve, levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, të përkushtuarve dhe shërbëtorëve të tempullit të Perëndisë. Sa për ty, Ezra, sipas urtisë që ke prej Perëndisë tënd, ngarkohesh me caktimin e zyrtarëve dhe të gjyqtarëve që do të udhëheqin popullin e krahinës përtej lumit, domethënë të gjithë ata që njohin ligjet e Perëndisë tënd. Atyre që nuk i njohin, mësojua. Kush nuk e zbaton ligjin e Perëndisë tënd dhe urdhëresën e mbretit, të dënohet menjëherë, me vdekje, me dëbim, me marrje të pasurisë ose me burgim». Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që e frymëzoi kështu zemrën e mbretit, për t'i dhënë hijeshi tempullit të Zotit në Jerusalem. Ai më bëri të gjej mirësi para mbretit, para këshilltarëve të tij dhe para gjithë zyrtarëve të fuqishëm të mbretit. E kështu mora forcë prej dorës së Perëndisë, që është mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit, që të vinin me mua. Këta janë krerët e vëllazërive me breznitë e tyre që u nisën me mua nga Babilonia gjatë mbretërimit të Artakserksit: nga bijtë e Finehasit, Gershomi; nga bijtë e Itamarit, Danieli; nga bijtë e Davidit, Hatushi; nga bijtë e Shekanjahut, bijtë e Faroshit, Zakaria e me të njëqind e pesëdhjetë meshkuj të regjistruar; nga bijtë e Pahat Moabit, Eliehoenai, biri i Zerahjahut dhe dyqind meshkuj me të; nga bijtë e Shekanjahut, bijtë e Jahazielit dhe treqind meshkuj me të; nga bijtë e Adinit, Ebedi, biri i Jonatanit dhe pesëdhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Elamit, Jeshajahu, biri i Ataljahut dhe shtatëdhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Shefatjahut, Zebadjah, biri i Mikaelit dhe tetëdhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Joabit, Abdia, biri i Jehielit, dhe dyqind e tetëmbëdhjetë meshkujt me të; nga bijtë e Shelomotit, biri i Josifjahut dhe njëqind e gjashtëdhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Bebait, Zakaria, biri i Bebait, dhe njëzet e tetë meshkuj me të; nga bijtë e Azgadit, Johanani, biri i Hakatanit dhe njëqind e dhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Adonikamit, që erdhën të fundit, emrat i kishin Elifelet, Jejel dhe Shemajah, bashkë me gjashtëdhjetë meshkuj; dhe nga bijtë e Bigvait, Utai dhe Zabudi, si edhe shtatëdhjetë meshkuj me të. Unë i mblodha këta pranë lumit që rrjedh drejt Ahavës e qëndruam aty tri ditë. Këqyra me kujdes popullin dhe gjeta priftërinj, por nuk gjeta asnjë levit. Atëherë thirra krerët Eliezer, Ariel, Shemajah, Elnatan, Jarib, Elnatan, Natan, Zakari dhe Meshulam, si edhe mësuesit Jojarib e Elnatan, dhe i urdhërova të shkonin tek Idoi, i pari i vendit të Kasifisë, e u thashë fjalët që duhej t'i thoshin Idoit dhe vëllezërve të tij, të cilët ishin shërbestarë të tempullit e jetonin në vendin e Kasifisë, që të dërgonin shërbestarë për tempullin e Perëndisë. Meqenëse dora mirëbërëse e Perëndisë sonë ishte me ne, na dërguan një njeri të mençur, Sherebiahun, një prej bijve të Mahliut, të birit të Levit, pasardhës të Izraelit, bashkë me bijtë dhe vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë. Dërguan edhe Hashabiahun bashkë me Jeshajahun, një nga bijtë e Merarit, bashkë me vëllezërit dhe me bijtë e tyre, gjithsej njëzet. Prej shërbëtorëve të tempullit, që kishte caktuar Davidi dhe zyrtarët e tij për të ndihmuar levitët, na dërguan dyqind e njëzet, të gjithë të caktuar me emër. Atje, pranë lumit Ahavë, shpalla agjërimin, që të përuleshim para Perëndisë tonë dhe t'i kërkonim mbarësi për udhëtimin tonë, për fëmijët tanë dhe për gjithçka që zotëronim. Më kishte ardhur turp t'i kërkoja mbretit ushtarë e kalorës për të na mbrojtur udhës nga armiku. I kishim thënë mbretit: «Dora e Perëndisë tonë i mbron të gjithë ata që e kërkojnë, ndërsa zemërimi i tij i furishëm bie mbi të gjithë ata që e braktisin». Kështu, agjëruam e iu lutëm Perëndisë tonë për këtë dhe ai na e dëgjoi lutjen. Atëherë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve, bashkë me Sherebiahun, Hashabiahun dhe dhjetë vëllezërit e tyre. U peshova argjendin, arin dhe enët e dhuruara për tempullin e Perëndisë prej mbretit, këshilltarëve dhe zyrtarëve të tij, si edhe të gjithë izraelitëve që ndodheshin atje. U dhashë njëzet tonë argjend, tre tonë enë argjendi, tre tonë ar, njëzet kupa ari, me vlerë një mijë darikë, dhe dy enë bronzi të lëmuar tërë shkëlqim, të çmuara si ari. Mandej u thashë: «Ju jeni të shenjtëruar për Zotin, siç janë edhe këto enë. Argjendi dhe ari janë dhuratë për Zotin, Perëndinë e etërve tanë. Ruajini mirë, derisa t'i peshoni para krerëve të priftërinjve, para levitëve e para krerëve të familjeve të Izraelit në Jerusalem, në dhomat e tempullit të Zotit ». Priftërinjtë dhe levitët i morën argjendin, arin dhe enët për t'i sjellë në Jerusalem në tempullin e Perëndisë tonë. Në ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahavë për në Jerusalem. Dora e Perëndisë tonë qe me ne dhe na mbrojti gjatë udhëtimit nga dora e armikut dhe e kundërshtarit. Arritëm në Jerusalem dhe atje pushuam tri ditë. Ditën e katërt, Meremoti, biri i priftit Urjah, bashkë me Eleazarin, birin e Finehasit, dhe me levitët, Jozabadin, birin e Jozuehut, dhe Noadjahun, birin e Binuit, peshuan argjendin, arin dhe enët në tempullin e Perëndisë tonë. Gjithçka u numërua e u peshua dhe pesha u mbajt shënim. Asokohe, të kthyerit prej robërisë kushtuan fli shkrumbimi për Perëndinë e Izraelit, dymbëdhjetë dema për mbarë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si fli mëkati. Të gjitha këto fli shkrumbimi iu kushtuan Zotit. Urdhëresat e mbretit iu dhanë satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës përtej lumit dhe ata mbështetën popullin dhe tempullin e Perëndisë. Si u kryen këto, u paraqitën tek unë prijësit e më thanë: «Populli i Izraelit, priftërinjtë e levitët nuk janë ndarë prej popujve të vendeve dhe prej ndyrësive të tyre, pra, prej kananitëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, amonitëve, moabitëve, egjiptianëve dhe amoritëve, por kanë marrë gra nga bijat e tyre, për vete dhe për bijtë e tyre, dhe kështu e kanë përzier farën e shenjtë me popujt vendas. Krerët dhe zyrtarët kanë qenë të parët që e kanë bërë një pabesi të tillë». Me ta dëgjuar këtë gjë, shqeva tunikën e petkun, shkula flokët nga koka e nga mjekra dhe u ula i pikëlluar. Rreth meje u mblodhën të gjithë ata që e kishin frikë Perëndinë e Izraelit, për shkak të pabesisë së të kthyerve nga robëria. Unë ndenja ulur i tmerruar deri në kohën e flisë së mbrëmjes. Gjatë flisë së mbrëmjes, u ngrita nga ajo gjendje pikëllimi dhe me tunikën e petkun ashtu të shqyer, rashë në gjunjë, i shtriva duart drejt Zotit, Perëndisë tim, e i thashë: «O Perëndia im, më vjen turp ta kthej fytyrën drejt teje, se paudhësitë tona janë shtuar aq sa na kanë mbuluar kokën dhe faji ynë ka arritur deri në qiell. Kemi bërë shumë faje që nga koha e etërve tanë e deri më sot dhe, për shkak të këtyre paudhësive tona, mbretërit e priftërinjtë tanë ranë në duart e mbretërve të tokës. Na kanë vrarë deri më sot, na kanë robëruar, na kanë plaçkitur e na e kanë mbuluar fytyrën me turp. Por tani, Zoti, Perëndia ynë, është treguar i mëshirshëm për pak kohë dhe ka lejuar të mbetet një tepricë prej nesh e na ka dhënë strehë vendin e tij të shenjtë, që Perëndia ynë të na ndriçojë sytë dhe të na përtërijë sadopak prej robërisë. Ishim të robëruar, por Perëndia ynë nuk na la në robëri. Ai u tregua i mirë me ne para mbretit të Persisë dhe e bëri të na mbështetë për ndërtimin e tempullit të Perëndisë tonë, për ta ringritur prej rrënojave e për të gjetur strehë në Judë e në Jerusalem. E ç'të themi tani, o Perëndia ynë, pas gjithë këtyre të mirave? Ja, i kemi braktisur urdhërimet e tua, që ti na i dhe përmes profetëve, shërbëtorëve të tu, kur the: “Toka që po merrni në trashëgim është e ndotur prej papastërtisë së popujve vendas dhe e mbushur plot e përplot me fëlliqësitë e tyre të neveritshme. Prandaj mos i jepni bijat tuaja për djemtë e tyre e mos i merrni bijat e tyre për bijtë tuaj. Mos kërkoni kurrë paqen me ta e as mirëqenien e tyre, sepse kështu do të bëheni të fortë, do të hani të mirat e vendit dhe do t'ia lini trashëgim përgjithmonë bijve tuaj”. Pas gjithë atyre që hoqëm për shkak të veprave tona të këqija e për fajin tonë të madh, ndonëse ti, o Perëndia ynë, nuk na ndëshkove sipas fajit tonë, por na le këtë tepricë, a do t'i shkelim sërish urdhërimet e tua e të lidhim martesa me këta popuj të fëlliqur? Mos vallë do të zemërohesh me ne, derisa të na japësh fund e të mos mbesë askush prej nesh? O Zot, Perëndi i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj dhe ka mbetur sot kjo tepricë prej nesh. Ja, po paraqitemi para teje me fajin tonë, ndonëse për shkak të tij nuk do të duhej të dilnim para teje». E teksa Ezra po lutej e po pohonte fajin me lot, i përgjunjur para tempullit të Perëndisë, u mblodh rreth tij një turmë e madhe izraelitësh, burra, gra e fëmijë, dhe mbarë populli qante me ngashërim. Atëherë foli Shekanjahu, biri i Jehielit, nga bijtë e Elamit, e i tha Ezrës: «Jemi treguar të pabesë ndaj Perëndisë tonë dhe jemi martuar me gra të huaja nga popujt vendas. Por, ka ende shpresë për Izraelin. Prandaj, le të bëjmë një besëlidhje me Perëndinë tonë e le t'i dëbojmë të gjitha gratë e huaja, bashkë me ata që kanë lindur prej tyre, sipas këshillës së Zotit dhe sipas urdhërimit të Perëndisë tonë. Le të veprohet sipas ligjit. Ngrihu, pra, sepse kjo është punë për ty. Ne jemi me ty. Bëhu i fortë e vepro!». Ezra u ngrit dhe i bëri krerët e priftërinjve, të levitëve dhe të mbarë Izraelit të betoheshin se do të vepronin siç u tha. Ata u betuan. Mandej Ezra u largua nga tempulli i Perëndisë, shkoi në shtëpinë e Jehohananit, birit të Eliashibit, dhe bujti aty. Nuk hëngri bukë e nuk piu ujë, sepse mbante zi për mëkatin e të kthyerve nga robëria. Atëherë doli një shpallje në Judë e në Jerusalem se të gjithë të kthyerit nga robëria duhej të mblidheshin në Jerusalem. Kush nuk do të vinte brenda tri ditësh në Jerusalem, sipas vendimit të krerëve dhe të pleqësisë, do t'i merrej gjithë pasuria e do të përjashtohej prej bashkësisë së të kthyerve nga robëria. Të gjithë burrat e Judës e të Benjaminit u mblodhën brenda tri ditëve në Jerusalem. Ishte dita e njëzetë e muajit të nëntë. Mbarë populli u ul në sheshin e tempullit të Perëndisë, duke u dridhur për shkak të kësaj ngjarjeje dhe prej shiut të fortë. Atëherë prifti Ezra u ngrit e u tha: «Ju keni kryer tradhti, kur jeni martuar me gra të huaja, dhe kështu e keni shtuar fajin e Izraelit. Prandaj, përlëvdoni Zotin, Perëndinë e etërve tuaj dhe veproni sipas vullnetit të tij. Ndahuni nga populli i vendit dhe nga gratë e huaja». Mbarë bashkësia u përgjigj e tha me zë të lartë: «Po, do të bëjmë siç thua ti. Por, ka shumë popull, shiu nuk po ndalet e nuk mund të rrimë jashtë. Për më tepër, kjo punë nuk bëhet për një apo dy ditë, sepse jemi shumë që kemi gabuar në këtë pikë. Le të qëndrojnë këtu krerët tani e të përfaqësojnë gjithë bashkësinë. Mandej, të gjithë ata që janë martuar me gra të huaja nëpër qytetet tona, të vijnë në një kohë të caktuar me pleqtë dhe me gjyqtarët e qytetit, derisa të largohet prej nesh zemërimi i Perëndisë tonë për shkak të kësaj çështjeje». Vetëm Jonatani, biri i Asahelit, dhe Jahzejahu, biri i Tikvahut, e kundërshtuan këtë gjë, të përkrahur nga Meshulami dhe leviti Shabeta. Ashtu vepruan të kthyerit nga robëria. Prifti Ezra dhe krerët e familjeve sipas klaneve të paraardhësve u zgjodhën të gjithë me emër e u ulën për të shqyrtuar çështjen në ditën e parë të muajit të dhjetë. Ditën e parë të muajit të parë zgjidhën rastet e burrave që ishin martuar me gra të huaja. Ndër bijtë e priftërinjve që ishin martuar me gra të huaja ishin disa nga bijtë e Jozuehut, të birit të Jocadakut, dhe të vëllezërve të tij, Masejahu, Eliezeri, Jaribi e Gedaliahu. Ata u zotuan se do t'i dëbonin gratë e tyre dhe do të kushtonin nga një dash si fli mëkati. Nga bijtë e Imerit ishin Hananiu e Zebadjahu; nga bijtë e Harimit, Masejahu, Elia, Shemajahu, Jehieli e Uziahu; nga bijtë e Pashhurit, Eljoenai, Masejahu, Ishmaeli, Netaneli, Jozabadi dhe Eleasahu; nga levitët, Jozabadi, Shimei, Kelajahu, që është Kelitai, Petahiahu, Juda dhe Eliezeri; nga këngëtarët, Eliashibi; nga derëtarët, Shalumi, Telemi e Uri. Nga izraelitët ishin këta: nga bijtë e Faroshit, Ramiahu, Izijahu, Malkjahu, Mijamini, Eleazari, Malkjahu e Benajahu; nga bijtë e Elamit, Matanjahu, Zakaria, Jehieli, Abdiu, Jeremoti dhe Elia; nga bijtë e Zatuit, Eljoenai, Eliashibi, Matanjahu, Jeremoti, Zabadi e Azizai; nga bijtë e Bebait, Jehohanani, Hananiahu, Zabai e Atlaji; nga bijtë e Baniut, Meshulami, Maluku, Adajahu, Jashubi, Sheali e Jeremoti; nga bijtë e Pahat Moabit, Adnai, Kelali, Benajahu, Masejahu, Matanjahu, Becaleli, Binui e Manaseu; nga bijtë e Harimit, Eliezeri, Ishjahu, Malkjahu, Shemajahu, Simeoni, Benjamini, Maluku e Shemarjahu; nga bijtë e Hashumit, Matenai, Matatahu, Zabadi, Elifeleti, Jeremai, Manaseu dhe Shimei; nga bijtë e Baniut, Madai, Amrami, Ueli, Benajahu, Bedejahu, Keluhu, Vaniahu, Meremoti, Eliashibi, Matanjahu, Matenai, Jasai, Baniu, Binui, Shimei, Shelemiahu, Natani, Adajahu, Maknadebai, Shashai, Sharai, Azareli, Shelemiahu, Shemarjahu, Shalumi, Amarjahu e Jozefi; nga bijtë e Neboit, Jejeli, Matitjahu, Zabadi, Zebinai, Jadai, Joeli e Benajahu. Të gjithë këta ishin të martuar me gra të huaja dhe disa prej tyre kishin pasur edhe fëmijë prej këtyre grave. Fjalët e Nehemisë, birit të Hakaliahut. Në muajin Kislev, kur isha njëzet vjeç e gjendesha në fortesën e Shushanit, erdhi tek unë Hananiu, njëri prej vëllezërve të mi, me disa njerëz nga Juda. Unë i pyeta për judenjtë, që kishin ikur e kishin shpëtuar nga skllavëria, si edhe për Jerusalemin. Ata më thanë: «Të mbijetuarit, që i shpëtuan skllavërisë, gjenden atje, në krahinë, dhe janë në ngushticë të madhe e në fatkeqësi, sepse muret e Jerusalemit janë shembur e portave u ka rënë zjarri». Kur i dëgjova këto fjalë, u ula, derdha lot e vajtova për disa ditë. Agjërova, iu luta Perëndisë së qiellit e thashë: «Po të lutem, o Zot, Perëndi i qiellit, Perëndi i madh e i tmerrshëm, që e mban besëlidhjen e mirësinë për ata që të duan e i zbatojnë urdhërimet e tua, vëri vesh lutjes së shërbëtorit tënd e hapi sytë, se unë po të lutem ditë e natë për bijtë e Izraelit, shërbëtorët e tu, e po i rrëfej mëkatet e bijve të Izraelit, se mëkatuam kundër teje. Edhe unë e shtëpia e tim eti mëkatuam. U sollëm keq me ty e nuk i mbajtëm as urdhërimet, as rregullat, as vendimet që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd. Kujto, pra, fjalët me të cilat e urdhërove shërbëtorin tënd, Moisiun: “Nëse nuk do të jeni besnikë, do t'ju shpërndaj mes popujve, por nëse ktheheni tek unë dhe i mbani e i zbatoni urdhërimet e mia, edhe sikur të dëbuarit të gjenden në skajet e botës, do t'i mbledh që andej e do t'i çoj në vendin ku kam vendosur të banojë emri im”. Ata janë shërbëtorët e tu e populli yt që ti i shpëtove me pushtetin tënd të madh e me fuqinë e krahut tënd. Po të përgjërohem, o Zot, vëri vesh lutjes së shërbëtorit tënd e lutjes së shërbëtorëve të tu që me dëshirë i druhen emrit tënd: prija mbarë sot shërbëtorit tënd e jepi hir para këtij njeriu». Në atë kohë unë isha kupëmbajtësi i mbretit. Ishte muaji Nisan i vitit të njëzetë të mbretit Artakserks. Mbreti e kishte verën përpara dhe unë e mora verën e ia qita mbretit, mirëpo nuk kisha qenë ndonjëherë i trishtuar para tij. Atëherë mbreti më tha: «Pse ke këtë pamje të trishtuar? I sëmurë nuk je, prandaj nuk mund të jetë tjetër, veçse trishtim i zemrës». Mua më zuri një frikë e madhe e i thashë mbretit: «Rroftë mbreti përgjithmonë! Si mos të të dukem i trishtuar, kur qyteti, ku gjenden varret e të parëve të mi, u shkretua e portat ia ka përpirë zjarri?». Mbreti m'u përgjigj: «Çfarë po kërkon?». Unë iu luta Perëndisë së qiellit e i thashë mbretit: «Po të dojë mbreti e nëse e ka për zemër shërbëtorin e vet, të më dërgojë në Judë, në qytetin ku gjenden varret e të parëve të mi, që ta rindërtoj». Mbreti, me mbretëreshën përkrah, më tha: «Sa do të zgjatë udhëtimi yt e kur do të kthehesh?». Unë ia tregova kohën. Mbretit i pëlqeu e më la të shkoja. Pastaj i thashë: «Po të dojë mbreti, le të më jepen letra për qeveritarët e tejlumit, që të më lejojnë të kaloj për në Judë, si dhe një letër për Asafin, rojtarin e pyjeve të mbretit, që të më japë drurë për ndërtimin e portave të qytezës dhe për shtëpinë ku do të hyj». Mbreti m'i dha, sepse dora e Perëndisë ishte me mua. Kur mbërrita te qeveritarët e tejlumit, u dhashë letrat e mbretit. Mbreti më kishte dhënë me vete një shpurë prijësish e disa kalorës. Sanbalat Horoniti e shërbëtori i tij amonit, Tobia, dëgjuan për këtë dhe u erdhi shumë keq që dikush kishte ardhur për t'u dalë zot izraelitëve. Kur mbërrita në Jerusalem, ndenja aty tri ditë. Pastaj u ngritëm me natë unë e ata pak burra që ishin me mua, pa i treguar askujt çfarë Perëndia më kishte shtënë në zemër të bëja për Jerusalemin. Nuk mora me vete asnjë kafshë, përveç kafshës ku ndenja kaluar. Dola me natë nga Porta e Luginës, drejt Pusit të Dragoit e drejt Portës së Hedhurinave dhe pashë si ishin shembur muret e Jerusalemit e si i kishte përpirë zjarri portat e tij. Pastaj kalova nga Porta e Burimit e nga Hurdha e Mbretit, por nuk pati asnjë vend ku të mund të kalonte kafsha ku kisha hipur. Atëherë iu ngjita luginës nëpër natë, u solla duke vëzhguar murin, mbërrita te Porta e Luginës e u ktheva. Zyrtarët nuk e morën vesh ku shkova, as çfarë bëra. Nuk kisha njoftuar as judenjtë, as priftërinjtë, as fisnikët, as zyrtarët e as ata që merreshin me punimet. Atëherë u thashë: «Ju e shihni vetë në çfarë mjerimi gjendemi. Jerusalemi është shkretuar e zjarri ia ka djegur portat. Ejani t'i ndërtojmë muret e Jerusalemit, që të mos na përçmojnë më». U tregova se kisha me vete përkrahjen e Perëndisë dhe fjalët që më kishte thënë mbreti. Ata thanë: «Të ngrihemi e ta rindërtojmë!». Pastaj ata i mbrehën duart për këtë vepër të mirë. Kur Sanbalat Horoniti, Tobia, shërbëtori i tij amonit, dhe Geshem Arabi i dëgjuan këto, u tallën me ne e na përqeshën, duke thënë: «Ç'është kjo që po bëni? Po ngriheni kundër mbretit?». Atëherë unë u thashë: «Perëndia i qiellit do të na e bëjë mbarë dhe ne, shërbëtorët e tij, do të ngrihemi e do të ndërtojmë, ndërsa ju nuk keni as pjesë, as të drejtë e as kujtime në Jerusalem». Kryeprifti Eliashib dhe vëllezërit e tij priftërinj ndërtuan Portën e Deleve, e kushtuan dhe i vunë kanatet. E kushtuan deri te Kulla e të Njëqindve dhe deri te Kulla e Hananelit. Pranë tij ndërtuan burrat e Jerikosë e pranë tyre ndërtoi Zakuri, biri i Imriut. Portën e Peshqve e ndërtuan bijtë e Senahut. Ata i bënë shtalkat dhe i vunë kanatet, menteshat e shulat. Pranë tyre bëri meremetime Meremoti, biri i Urjahut, të birit të Hakocit. Edhe Meshulami, biri i Berekjahut, të birit të Meshezabelit bëri meremetime pranë tyre, sikurse edhe Cadoku, biri i Banahut. Aty pranë bënë meremetime tekoitët, por fisnikët e tyre nuk iu nënshtruan urdhrave të zotërve të vet. Portën e Jeshanahut e meremetuan Jojadai, biri i Paseahut, dhe Mëshulami, biri i Besodjahut. Ata i bënë shtalkat dhe i vunë menteshat, kanatet e shulat. Pranë tyre bënë meremetime Melatjah Gibeoniti e Jadon Meronotiti, prej Gibeonit e prej Micpahut. Këta ishin nën pushtetin e qeveritarit të tejlumit; pranë tyre bëri meremetime Uzieli, biri i arpunuesit Harhajah; pranë tij bëri meremetime Hananiahu, biri i prodhuesve të vajrave erëmirë. Këta e rindërtuan Jerusalemin deri te Muri i Gjerë; pranë tyre bëri meremetime Refajahu, biri i Hurit, kreut të gjysmës së rrethit të Jerusalemit; pranë tyre, përballë shtëpisë së vet, bëri meremetime Jedajahu, biri i Harumafit; pranë këtij bëri meremetime Hatushi, biri i Hashabenjahut. Malkjahu, biri i Harimit, dhe Hashubi, biri i Pahat Moabit, meremetuan pjesën e dytë dhe Kullën e Furrave; pranë tyre bëri meremetime Shalumi, biri i Haloheshit, kreu i gjysmës së rrethit të Jerusalemit, bashkë me të bijat. Portën e Luginës e meremetoi Hanuni me banorët e Zanoahut. Ata e ndërtuan dhe i vunë kanatet, menteshat e shulat. Ndërtuan edhe një mijë kute mur, deri te Porta e Hedhurinave. Portën e Hedhurinave e meremetoi Malkjahu, biri i Rekabit, kreut të rrethit të Betkeremit. Ai e ndërtoi dhe i vuri kanatet, menteshat e shulat. Portën e Gurrës e meremetoi Shaluni, biri i Kolhozehut, kreut të rrethit të Micpahut. Ai e ndërtoi, e mbuloi dhe i vuri kanatet, menteshat e shulat. Ndreqi edhe murin e Hurdhës së Shelahut, te Kopshti i Mbretit, deri te shkallët që zbresin nga qyteti i Davidit. Më tej, Nehemia, biri i Azbukut, kreut të gjysmës së rrethit të Betcurit, bëri meremetime deri kundruall Varrezave të Davidit, deri te Hurdha e Sajuar dhe te Shtëpia e Trimave. Përtej tij bënë meremetime levitët: Rehumi, biri i Baniut, pranë të cilit punoi Hashabiahu, kreu i gjysmës së rrethit të Kejlahut, për rrethin e vet. Më tej, bënë meremetime vëllezërit e tyre: Bavai, biri i Henadadit, kreut të gjysmës së rrethit të Kejlahut, pranë të cilit Ezeri, biri i Jeshuait, kreut të Micpahut, meremetoi pjesën e dytë, kundruall malores së armatimeve, te qoshja. Përtej tij, Baruku, biri i Zabait, meremetoi me zell pjesën e dytë, nga qoshja te hyrja e shtëpisë së kryepriftit Eliashib. Përtej tij, Meremoti, biri i Urjahut, të birit të Hakocit, meremetoi pjesën tjetër, nga hyrja e shtëpisë së Eliashibit deri ku përfundon shtëpia e Eliashibit. Përtej tij bënë meremetime priftërinjtë, burrat prej rrethinave. Përtej tyre, kundruall shtëpisë së vet, bënë meremetime Benjamini e Hashubi; përtej tyre, pranë shtëpisë së vet, bëri meremetime Azarjahu, biri i Masejahut, të birit të Ananjahut; përtej tij, Binui, biri i Henadadit, meremetoi pjesën tjetër, nga shtëpia e Azarjahut deri te qoshja e deri te kthesa; Palali, biri i Uzait, bëri meremetimet kundruall qoshes dhe kullës që spikat përmbi shtëpinë e mbretit te tremja e rojës; përtej tij, Pedajahu, biri i Faroshit, dhe shërbestarët e tempullit, që banojnë në Ofel, bënë meremetime deri kundruall Portës së Ujit, në lindje të Kullës Spikatëse; përtej tij, tekoitët meremetuan pjesën tjetër kundruall kullës së madhe që spikaste deri te Muri i Ofelit. Mbi Portën e Kuajve bënë meremetime priftërinjtë, secili kundruall shtëpisë së vet; përtej tyre bëri meremetime Cadoku, biri i Imerit, kundruall shtëpisë së vet; përtej tij bëri meremetime Shemajahu, biri i Shekanjahut, rojtari i Portës së Lindjes; përtej tij, Hananiahu, biri i Shelemiahut, dhe Hanuni, biri i gjashtë i Calafit, meremetuan pjesën tjetër; përtej tyre Meshulami, biri i Berekjahut, bëri meremetime kundruall banesës së vet; përtej tij, Malkjahu, njëri prej arpunuesve, bëri meremetime deri te shtëpia e shërbestarëve të tempullit dhe e tregtarëve, kundruall Portës së Vendtakimit e deri te dhoma e epërme e qoshes. Ndërmjet dhomës së epërme të qoshes dhe Portës së Deleve bënë meremetime arpunuesit e tregtarët. Kur Sanbalati dëgjoi se po ndërtonim murin, u zemërua, u tërbua, i vuri në lojë judenjtë dhe tha para vëllezërve të vet e ushtrisë së Samarisë: «Çfarë kanë ndër mend të bëjnë këta judenj mjeranë? Duan ta përfundojnë? Duan të bëjnë kushtime? Duan ta mbarojnë brenda ditës? Duan të ngjallin prej pirgut të hirit gurët e djegur?». Tobi Amoniti, që ishte pranë tij, tha: «Le ta ndërtojnë, por edhe një dhelpër po të ngjitet sipër, do ta shembë murin e tyre prej guri». Dëgjo, o Perëndia ynë, se u përçmuam! U rëntë kokës qesëndia e tyre e jepi ata si plaçkë në ndonjë vend skllavërimi! Mos e mbulo fajin e tyre e mos t'u heqtë sysh mëkati i tyre, sepse ata i ngucën ndërtuesit. Ne e rindërtuam murin. Muri ishte i lidhur mirë deri në gjysmë dhe populli e pati për zemër punën. Por, kur Sanbalati, Tobia, arabët, amonitët e ashdoditët morën vesh se kishte përparuar mëkëmbja e mureve të Jerusalemit dhe se kishin filluar t'i mbylleshin të çarat, u zemëruan shumë. Të gjithë së bashku u përbetuan të luftonin kundër Jerusalemit e të shkaktonin trazira në të. Atëherë ne iu lutëm Perëndisë sonë e vendosëm rojtarë për t'u mbrojtur prej tyre ditë e natë. Judenjtë thoshin: «Po u meket forca ngarkuesve e ka shumë mbeturina, prandaj nuk mund ta kryejmë murin». Armiqtë tanë thoshin: «Papritur e pa pandehur do të vërsulemi kundër tyre, do t'i vrasim e do t'u japim fund punimeve». Judenjtë, që banonin pranë tyre, erdhën e na thanë nja dhjetë herë: «Ngado të silleni, do të sulen mbi ne». Atëherë unë e vendosa popullin, sipas fiseve, në vendet e ulëta prapa murit e nëpër rrahe, me shpata, shigjeta e harqe. Pasi pashë punën, u ngrita e u thashë fisnikëve, zyrtarëve e pjesës tjetër të popullit: «Mos kini frikë prej tyre. Kujtoni Zotin e madh e të tmerrshëm dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë e bijat tuaja, për gratë e për shtëpitë tuaja!». Kur armiqtë tanë dëgjuan se ne ishim në dijeni të kësaj gjëje, Perëndia i prishi synimet e tyre e ne u kthyem te muri, secili te puna e vet. Prej asaj dite gjysma e të rinjve të mi punonte e gjysma mbante shigjetat, shqytet, harqet e mburojat. Prijësit rrinin mbrapa tërë shtëpisë së Judës. Ata që ndërtonin murin dhe ata që mbartnin ngarkesën, me njërën dorë bënin punën e me dorën tjetër mbanin armën. Secili ndërtues ndërtonte me shpatën ngjeshur në ijë e borizani rrinte bri meje. Atëherë u thashë fisnikëve, zyrtarëve e pjesës tjetër të popullit: «Puna është madhe dhe ne jemi të shpërndarë larg njëri-tjetrit në këtë mur. Kudo që ta dëgjoni zërin e borisë, mblidhuni këtu te ne. Perëndia do të luftojë për ne». Kështu, vijuam punimet, ndërsa gjysma mbanin heshtat nga agu deri në mug. Në atë kohë unë i thashë popullit: «Secili ta kalojë natën brenda Jerusalemit me shërbëtorin e vet e të jetë rojtar natën e punëtor ditën». Kurrë nuk i hoqëm petkat as unë, as vëllezërit e mi, as shërbëtorët e mi, as burrat e rojës që vinin pas meje. Secili e mbante armën në dorë. Një herë populli e gratë e tyre u ankuan shumë kundër vëllezërve të vet judenj. Pati nga ata që thoshin: «Kemi shumë bij e bija, prandaj duhet të marrim grurë, që të hamë e të jetojmë». Pati edhe nga ata që thoshin: «Duhet të lëmë peng arat, vreshtat e shtëpitë, për të marrë grurë në kohë zie». Por pati edhe nga ata që thoshin: «Me arat e vreshtat tona huajtëm para për t'i paguar tagrin mbretit. Prej një mishi jemi ne e vëllezërit tanë, bijtë tanë janë si bijtë e tyre, por ja, ne po i japim skllevër bijtë e bijat tona. Disa nga bijat tona janë skllavëruar tashmë e nuk mund të bëjmë asgjë, sepse arat e vreshtat tona i kanë marrë të tjerët». Kur e dëgjova ankimin e tyre bashkë me këto fjalë, u zemërova shumë. U mendova me vete, pastaj i qortova fisnikët e zyrtarët e u thashë: «Ju u kërkuakeni kamatë vëllezërve». Atëherë thirra kundër tyre një mbledhje të madhe e u thashë: «Për sa kemi mundur, ne i kemi shpaguar vëllezërit tanë judenj që ishin shitur te të huajt. Mirëpo edhe ju po i shitkeni vëllezërit tuaj, të cilët, prapë do të na i shesin neve». Atëherë ata heshtën e nuk gjenin fjalë. Unë u thashë: «Kjo që po bëni ju, nuk është gjë e mirë. A nuk duhet të jetoni me drojën e Perëndisë sonë, që të mos tallen me ju kombet armike? Edhe unë, vëllezërit e mi e shërbëtorët e mi, po u japim hua grurë e para. Le të heqim dorë nga kamata. Ktheuani sot arat, vreshtat, ullishtat e shtëpitë, sikurse edhe një të qindtën e parave, grurit, verës e vajit, që keni marrë prej tyre». Ata thanë: «Do t'u kthejmë çfarë u morëm e nuk do t'ua kërkojmë më. Do të veprojmë siç po na thua ti». Atëherë thirra priftërinjtë e i bëra të betoheshin se do ta mbanin fjalën. Shkunda edhe kindin e petkut tim e thashë: «Kështu e shkundtë Perëndia me shtëpi e katandi këdo që nuk do ta mbajë këtë fjalë! Kështu u shkundtë e u zbraztë!». Tërë bashkësia u përgjigj: «Amen» dhe lavdëruan Zotin. Pastaj populli e mbajti këtë fjalë. Qëkurse mbreti më kishte caktuar qeveritar të tyre në dheun e Judës, qysh prej vitit të njëzetë e deri në vitin e tridhjetedytë të mbretit Artakserks, për dymbëdhjetë vjet, as unë, as vëllezërit e mi nuk e morëm tagrin e qeveritarit. Qeveritarët para meje e kishin rënduar popullin, sepse merrnin prej tij bukë e verë, përveç dyzet siklave të argjendit. Deri edhe shërbëtorët e tyre e mundonin popullin, por unë nuk veprova ashtu, sepse druaja Perëndinë. Unë, për më tepër, punova për meremetimin e këtij muri e nuk bleva as edhe një arë, por të gjithë shërbëtorët e mi ishin mbledhur atje për të punuar. Njëqind e pesëdhjetë burra, judenj e zyrtarë, shtroheshin në tryezën time, përveç atyre që vinin te ne nga kombet përreth. Çfarë përgatitej për një ditë, domethënë një ka, gjashtë dele të zgjedhura e shpendë, përgatitej prej meje. Çdo dhjetë ditë kishte verë për të gjithë sa të donin, megjithatë unë nuk e kërkova pjesën e ushqimit që i takonte qeveritarit, sepse puna rëndonte mbi popullin. Kujtoma për të mirë, o Perëndi, gjithçka bëra për këtë popull! Kur Sanbalati, Tobia, Geshem Arabi dhe armiqtë e tjerë morën vesh se e kisha ndërtuar murin e nuk kishte të çara në të, edhe pse nuk ua kisha vënë ende kanatet portave, Sanbalati e Geshemi më dërguan njerëz për të më thënë: «Eja të takohemi në Kefirim, në rrafshin e Onosë», por ata synonin të më bënin keq. Atëherë unë u dërgova lajmëtarë, për t'u thënë: «Kam shumë punë e nuk mund të vij. Pse ta lë punën e të vij te ju?». Ata dërguan katër herë njerëz për të më thënë këtë gjë e unë iu përgjigja me të njëjtat fjalë. Herën e pestë Sanbalati dërgoi tek unë një shërbëtor, i cili mbante në dorë një letër të hapur, ku ishte shkruar: «Po dëgjohet ndër kombe, e kështu thotë edhe Gashmui, se ti dhe judenjtë po kurdisni një kryengritje, prandaj jeni duke e ndërtuar murin. Sipas këtyre njoftimeve, ti po përgatitesh të bëhesh mbreti i tyre, madje ke caktuar edhe profetë, të cilët duhet të kumtojnë për ty në Jerusalem: “Në Judë ka mbret!”. Mirëpo mbreti do t'i marrë vesh këto lajme, prandaj eja të këshillohemi bashkë». Unë i dërgova këtë përgjigje: «Gjërat nuk janë siç thua ti, por je ti që i ke shpikur». Në të vërtetë ata donin të na frikësonin e thoshin: «Do t'u kapiten duart e vepra nuk do të kryhet». Mirëpo duart e mia u bënë më të forta. Atëherë shkova në shtëpinë e Shemajahut, birit të Delajahut, të birit të Mehetabelit, i cili rrinte mbyllur brenda. Ai më tha: «Të takohemi në shtëpinë e Perëndisë, brenda tempullit e t'ia mbyllim dyert tempullit, sepse po vijnë të të vrasin. Brenda natës do të vijnë të të vrasin». Por unë thashë: «A mund të ikë një burrë si unë? A mund të hyjë në tempull, për të mbetur gjallë, një burrë si unë? Jo, nuk do të hyj». E kuptova se nuk e kishte dërguar Perëndia dhe se e kishin paguar Tobia e Sanbalati për profecinë që më shpalli. E kishin paguar, që unë të trembesha, të veproja ashtu e të mëkatoja, që ata të më përmendnin për keq e të më turpëronin. Kujtohu, o Perëndi, për Tobinë e Sanbalatin, për këto veprime, por edhe për profeteshën Noadja e për profetët e tjerë që deshën të më frikësonin. Muri u përfundua ditën e njëzetepestë të muajit Elul, për pesëdhjetë e dy ditë. Kur tërë armiqtë tanë dëgjuan për këtë, u trembën e u hutuan të gjitha kombet përreth. Ata e morën vesh se këtë punë e kishim bërë me ndihmën e Perëndisë. Fisnikët e Judës i dërguan shumë letra Tobisë gjatë atyre ditëve. Edhe atyre u mbërritën letra prej Tobisë, sepse shumë prej tyre kishin lidhur besën me të, duke qenë se ai ishte dhëndri i Shekanjahut, të birit të Arahut, ndërsa i biri i tij, Jehohanani, ishte martuar me të bijën e Meshulamit, të birit të Berekjahut. Ata më folën edhe për veprat e tij të mira e i dërguan atij fjalët e mia. Atëherë ai dërgoi letra, për të më frikësuar. Kur u ndërtua muri e unë i vendosa portat dhe caktova derëtarët, këngëtarët e levitët, e vura Jerusalemin nën zotërimin e vëllait tim, Hananiut, dhe të Hananiahut, kreut të fortesës, sepse ai ishte burrë besnik dhe e druante Perëndinë më shumë se shumë të tjerë. Atyre u thashë: «Portat e Jerusalemit nuk duhen hapur derisa të djegë dielli. Dyert të mbyllen pa ikur rojat. Le të caktohen rojtarë prej banorëve të Jerusalemit, si në vendrojë, edhe para shtëpive». Qyteti ishte i gjerë e i gjatë, por popullsia e tij ishte e vogël e nuk ishin ndërtuar shtëpi. Perëndia im më shtiu ndër mend të mblidhja fisnikët, zyrtarët dhe popullin për t'i regjistruar. Atëherë gjeta librin e Breznive të atyre që ishin kthyer të parët, ku ishte shkruar: Këta janë njerëzit e krahinës, që u kthyen nga skllavëria e shpërnguljes, të cilët mbreti i Babilonisë, Nabukodonosor, i pati shpërngulur e që u kthyen në Jerusalem e Judë, secili në qytetin e vet. Erdhën me Zorobabelin, Jozuehun, Neheminë, Azarjahun, Ramiahun, Namanin, Mordakain, Bilshanin, Misperetin, Bigvain, Nehumin e Banahun. Ja numri i burrave të popullit të Izraelit: bijtë e Faroshit, dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e dy; bijtë e Shefatjahut, treqind e shtatëdhjetë e dy; bijtë e Arahut, gjashtëqind e pesëdhjetë e dy; bijtë e Pahat Moabit, domethënë bijtë e Jozuehut e të Joabit, dy mijë e dyqind e tetëmbëdhjetë; bijtë e Elamit, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër; bijtë e Zatuit, tetëqind e dyzet e pesë; bijtë e Zakait, shtatëqind e gjashtëdhjetë; bijtë e Binuit, gjashtëqind e dyzet e tetë; bijtë e Bebait, gjashtëqind e njëzet e tetë; bijtë e Azgadit, dy mijë e treqind e njëzet e dy; bijtë e Adonikamit, gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë; bijtë e Bigvait, dy mijë e gjashtëdhjetë e shtatë; bijtë e Adinit, gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë; bijtë e Aterit, domethënë të Ezekisë, nëntëdhjetë e tetë; bijtë e Hashumit, treqind e njëzet e tetë; bijtë e Becait, treqind e njëzet e katër; bijtë e Harifit, njëqind e dymbëdhjetë; bijtë e Gibeonit, nëntëdhjetë e pesë; burrat e Betlehemit dhe të Netofahut, njëqind e tetëdhjetë e tetë; burrat e Anatotit, njëqind e njëzet e tetë; burrat e Bet Azmavetit, dyzet e dy; burrat e Kirjat Jearimit, të Kefirahut e të Berotit shtatëqind e dyzet e tre; burrat e Ramahut e të Gebait, gjashtëqind e njëzet e një; burrat e Mikmasit, njëqind e njëzet e dy; burrat e Betelit e të Ajit, njëqind e njëzet e tre; burrat e Neboit tjetër, pesëdhjetë e dy; bijtë e Elamit tjetër, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër; bijtë e Harimit, treqind e njëzet; bijtë e Jerikosë, treqind e dyzet e pesë; bijtë e Lodit, të Hadidit e të Onosë shtatëqind e njëzet e një; dhe bijtë e Senahut, tre mijë e nëntëqind e tridhjetë. Priftërinjtë ishin këta: bijtë e Jedajahut, domethënë të shtëpisë së Jozuehut, nëntëqind e shtatëdhjetë e tre; bijtë e Imerit, një mijë e pesëdhjetë e dy; bijtë e Pashhurit, një mijë e dyqind e dyzet e shtatë; dhe bijtë e Harimit, një mijë e shtatëmbëdhjetë. Levitët, bijtë e Jozuehut, domethënë të Kadmielit, prej bijve të Hodvahut, ishin shtatëdhjetë e katër. Këngëtarët, bijtë e Asafit, ishin njëqind e dyzet e tetë. Rojtarët, bijtë e Aterit, bijtë e Talmonit, bijtë e Akubit, bijtë e Hatitait, bijtë e Shobait, ishin njëqind e tridhjetë e tetë. Shërbestarët e tempullit ishin bijtë e Cihasë, bijtë e Hasupait, bijtë e Tabaotit, bijtë e Kerosit, bijtë e Sijahait, bijtë e Padonit, bijtë e Lebanahut, bijtë e Hagabahut, bijtë e Shalmait, bijtë e Hananit, bijtë e Gidelit, bijtë e Gaharit, bijtë e Reajahut, bijtë e Recinit, bijtë e Nekodait, bijtë e Gazamit, bijtë e Uzait, bijtë e Paseahut, bijtë e Besait, bijtë e Meunimit, bijtë e Nefusimit, bijtë e Bakbukut, bijtë e Hakufait, bijtë e Harhurit, bijtë e Baclutit, bijtë e Mehidait, bijtë e Harshait, bijtë e Barkosit, bijtë e Siserit, bijtë e Temahut, bijtë e Neziahut dhe bijtë e Hatifait. Bijtë e shërbëtorëve të Solomonit ishin bijtë e Sotait, bijtë e Soferetit, bijtë e Peridait, bijtë e Jalait, bijtë e Darkonit, bijtë e Gidelit, bijtë e Shefatjahut, bijtë e Hatilit, bijtë e Pokeret Hacbajimit dhe bijtë e Amonit. Tërë shërbëtorët e tempullit dhe bijtë e shërbëtorëve të Solomonit ishin treqind e nëntëdhjetë e dy. Këta janë të kthyerit nga Tel Melahu, nga Tel Harshai, nga Kerub Adoni e nga Imeri, të cilët nuk qenë në gjendje të tregonin pasardhësit e cilës shtëpi ishin, për të vërtetuar se ishin izraelitë. Ata ishin bijtë e Delajahut, bijtë e Tobisë, bijtë e Nekodait, gjithsej gjashtëqind e dyzet e dy. Nga priftërinjtë ishin bijtë e Hobajahut, bijtë e Hakocit, bijtë e Barzilait. Ai kishte marrë për grua njërën nga bijat e Barzila Gileaditit dhe mbante emrin e tyre. Këta e kërkuan regjistrin ku duhej të ishin shënuar, por nuk e gjetën, prandaj u përjashtuan nga priftëria dhe qeveritari u tha të mos i hanin ushqimet e kushtuara deri kur të vinte prifti me Urim e Tumim. Tërë bashkësia e mbledhur kishte dyzet e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë vetë, përveç skllevërve e skllaveve që ishin shtatë mijë e treqind e tridhjetë e shtatë. Ata kishin edhe dyqind e dyzet e pesë këngëtarë e këngëtare, shtatëqind e tridhjetë e gjashtë kuaj, dyqind e dyzet e pesë mushka, katërqind e tridhjetë e pesë deve e gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet gomarë. Disa prej kryefamiljarëve bënë dhurata për punimet. Qeveritari i dhuroi thesarit një mijë drahma ar, pesëdhjetë kupa dhe pesëqind e tridhjetë tunika priftërinjsh. Disa prej kryefamiljarëve dhanë për thesarin e punimeve njëzet mijë drahma ar e dy mijë e dyqind mina argjend. Pjesa tjetër e popullit dha njëzet mijë drahma ar, dy mijë mina argjend e gjashtëdhjetë e shtatë tunika priftërinjsh. Priftërinjtë, levitët, derëtarët, këngëtarët, disa nga populli, të kushtuarit e të gjithë izraelitët u vendosën në qytetet e veta. Kur erdhi muaji i shtatë, izraelitët gjendeshin në qytetet e veta. Atëherë mbarë populli u mblodh si një trup i vetëm në sheshin përballë Portës së Ujit e i thanë shkruesit Ezra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Perëndia i kishte urdhëruar Izraelit. Në ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezra e solli ligjin para kuvendit të burrave, grave dhe të gjithë atyre që mund të kuptonin e të dëgjonin. E lexoi me zë në sheshin para Portës së Ujit, deri në mesditë, para burrave, grave e atyre që ishin në gjendje ta kuptonin. I gjithë populli i vuri vesh librit të ligjit. Shkruesi Ezra qëndroi në një shkallare druri, që e kishin përgatitur për këtë gjë, ndërsa bri tij rrinin Matitjahu, Shemai, Ananjahu, Urjahu, Hilkiahu e Masejahu, në krahun e djathtë, e në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkjahu, Hashumi, Hashbadanahu, Zakaria e Meshulami. Ezra e hapi librin para syve të mbarë popullit, se ishte më lart se tërë populli. Kur e hapi, mbarë populli u ngrit më këmbë. Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Perëndinë e madh, ndërsa gjithë populli, me duart lart, u përgjigj: «Amen! Amen!». Pastaj ranë përmbys me fytyrë përdhe para Zotit. Jeshuai, Baniu, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabetai, Hodiahu, Masejahu, Kelitai, Azarjahu, Jozabadi, Hanani, Pelajahu e levitët, e ndihmuan popullin ta kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në vendin e vet. Ata e lexonin librin e ligjit të Perëndisë dhe e sqaronin. I nxirrnin kuptimin, që ta kuptonin leximin. Nehemia, që ishte qeveritar, Ezra, që ishte prift e shkrues, si dhe levitët, të cilët e mësonin popullin, i thanë mbarë popullit: «Kjo ditë i kushtohet Zotit, Perëndisë suaj. Mos vajtoni e mos qani». Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e ligjit. Atëherë Nehemia u tha: «Shkoni, hani ushqime të majme, pini pije të ëmbla e çojuni një pjesë atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, se kjo ditë është e shenjtë për Zotin tonë. Mos u mërzitni, sepse gëzimi i Zotit është streha juaj». Kështu, levitët e qetësuan mbarë popullin, duke i thënë: «Heshtni, se kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni». Tërë populli shkoi për të ngrënë e për të pirë, për t'u dhënë një pjesë të tjerëve e për të gëzuar shumë, sepse i kishin kuptuar fjalët që u ishin thënë. Të nesërmen kryefamiljarët e mbarë popullit u mblodhën me priftërinjtë e levitët te shkruesi Ezra për të përimtuar fjalët e ligjit. Në ligjin që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut, zbuluan se populli i Izraelit duhej të jetonte në kasolle gjatë festimeve të muajit të shtatë e se festimet duheshin shpallur me zë në të gjitha qytetet dhe në Jerusalem, duke thënë: «Dilni nëpër male e sillni gema ullinjsh të butë e të egër, gema boronicash, gema palmash e gema pemësh gjethore, sikurse është shkruar». Atëherë populli doli e i solli. Ndërtuan për vete kasolle, secili mbi pullazin e shtëpisë së vet, nëpër treme, në tremen e tempullit të Perëndisë e në sheshin e Portës së Ujit, si edhe në sheshin e Portës së Efraimit. Mbarë bashkësia e të kthyerve nga skllavëria bënë kasolle e banuan në to. Qysh prej kohës së Jeshuait, birit të Nunit, deri më atë ditë, Izraeli nuk kishte bërë diçka të tillë, prandaj u bë gëzim i madh. Ai e lexoi librin e ligjit të Perëndisë, çdo ditë, nga dita e parë deri tek e fundit. Festa zgjati shtatë ditë dhe ditën e tetë u bë një mbledhje e madhe, sipas rregullores. Ditën e njëzetekatërt të po këtij muaji, izraelitët u mblodhën për agjërim, të veshur me grathore e të mbuluar me pluhur. Pasardhësit e Izraelit u ndanë veç nga të gjithë të huajt, qëndruan më këmbë e rrëfyen mëkatet dhe fajet e etërve të vet. U ngritën më këmbë në vendin e vet dhe lexuan librin e ligjit të Zotit, Perëndisë së tyre, për një të katërtën e ditës, ndërsa për një të katërt tjetër u rrëfyen e ranë përmbys para Zotit, Perëndisë së tyre. Atëherë, Jeshuai, Baniu, Kadmieli, Shebanjahu, Buniu, Sherebiahu, Baniu e Kenani u ngritën mbi shkallaren e levitëve e thirrën Zotin, Perëndinë e tyre, me zë të lartë. Pastaj levitët Jeshua, Kadmiel, Baniu, Hashabenjah, Sherebiah, Hodiah, Shebanjah, Petahiah thanë: «Ngrihuni e bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, përherë e përgjithmonë. Bekuar qoftë emri yt i lavdishëm që u lartësua mbi çdo bekim e lavdërim. Ti, vetëm ti je Zoti. Ti i krijove qiejt dhe qiejt e qiejve me tërë ushtritë e tyre, tokën me gjithçka është në të e detin me gjithçka është në të. Të gjithave ti ua jep jetën e ushtritë e qiejve bien përmbys para teje. Ti je Zoti, Perëndia që zgjodhi Abramin, e nxori nga Uri i kaldenjve e i dha emrin Abraham. Ti e pe se zemra e tij ishte besnike ndaj teje dhe lidhe me të besëlidhjen, për t'u dhënë pasardhësve të tij tokën e kananitëve, të hititëve, të amoritëve, të perisitëve, të jebusitëve e të girgashitëve, dhe e mbajte fjalën, sepse ti je i drejtë. Ti e pe pikëllimin e etërve tanë në Egjipt dhe e dëgjove britmën e tyre te deti i Kuq. Bëre shenja e mrekulli kundër faraonit, kundër gjithë shërbëtorëve të tij e kundër mbarë popullit të tokës së tij, sepse e dije si i kishin poshtëruar etërit tanë. Bëre emër për vete gjer më sot. Hape detin para tyre e ata kaluan përmes detit nëpër terë, ndërsa përndjekësit e tyre i hodhe në humnerë, si gurin në ujëra të thella. Gjatë ditës i udhëhoqe me një shtyllë reje e gjatë natës me një shtyllë zjarri, për t'u ndriçuar udhën, ku po ecnin. Zbrite mbi malin Sinai e fole me ta nga qielli. U dhe vendime të drejta, ligje të vërteta, rregulla e urdhërime të mira. U bëre të njohur të shtunën tënde të shenjtë e u dhe urdhërime, rregulla e ligje, me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd. U dhe bukë prej qielli për t'ua shuar urinë e u nxore ujë prej shkëmbit për t'ua shuar etjen e u the të shkonin e të merrnin në zotërim tokën që ishe betuar t'ua jepje. Por ata, etërit tanë, u treguan kryeneçë e kokëfortë e nuk i dëgjuan urdhërimet e tua. Nuk deshën të dëgjonin e nuk u kujtuan për mrekullitë që kishe bërë mes tyre, por u treguan kokëfortë, ngritën krye e caktuan një prijës që të ktheheshin në skllavëri. Por ti je Perëndi që fal, përdëllyes e i mëshirshëm, i ngadaltë në zemërim e plot besnikëri, prandaj nuk i braktise. Edhe kur ata bënë viçin prej metali e thanë: “Ky është perëndia yt, që të nxori nga Egjipti”, duke të fyer rëndë, ti, në mëshirën tënde të madhe, nuk i braktise në shkretëtirë. Shtylla e resë, që i udhëhiqte, nuk u largua prej tyre gjatë ditës, as shtylla e zjarrit që gjatë natës u tregonte udhën nga duhej të shkonin. Ti u dhurove Shpirtin tënd të mirë, për t'i mësuar, e nuk ua hoqe nga goja manën, madje u dhe edhe ujë për të shuar etjen. Për dyzet vjet i ushqeve në shkretëtirë e nuk u mungoi asgjë, nuk iu vjetruan petkat e nuk iu ënjtën këmbët. U dhe mbretëri e popuj, ua ndave me kufij e ata morën tokën e Sihonit, tokën e mbretit të Heshbonit dhe tokën e Ogut, mbretit të Bashanit. Ti ua shumove pasardhësit si yjet e qiellit e i solle në tokën, ku u kishe thënë etërve të tyre të hynin, për ta marrë në zotërim. Pasardhësit e tyre hynë dhe e morën në zotërim tokën e ti ua nënshtrove banorët e asaj toke, kananitët, e ua dorëzove me mbretër e me popuj të asaj toke, që të bënin me ta si të donin. Ata pushtuan qytete të fortifikuara e tokë pjellore dhe morën në zotërim shtëpi plot me gjithë të mirat, puse të hapura, vreshta, ullishta e pemë frutore me begati. Hëngrën, u nginë, u majmën e u zdërhallën falë mirësisë sate të madhe. Por nuk u bindën, të kundërshtuan, hodhën pas shpine ligjin tënd dhe i vranë profetët e tu, që u kishin bërë thirrje të ktheheshin kah ti, e të fyen rëndë. Atëherë ti i le në dorë të armiqve të tyre e ata i nëpërkëmbën, por, kur u gjetën ngushtë, të thirrën ty e ti, prej qiellit, i dëgjove dhe sipas mëshirës sate të madhe, u dhe shpëtimtarë që i shpëtuan nga dora e armiqve të tyre. Por, kur gjenin prehje, përsëri bënin ligësi para teje e ti i braktisje në duart e armiqve të tyre që i nënshtronin. Pastaj të thërrisnin ty e ti, prej qiellit, i dëgjoje dhe, sipas mëshirës sate, i shpëtoje herë pas here. Ti i qortoje, që të ktheheshin te ligji yt, por ata krekoseshin e nuk i dëgjonin urdhërimet e tua. Mëkatonin kundër vendimeve të tua, megjithëse njeriu që i zbaton, jeton prej tyre. Nuk e përkulën kurrizin, nuk e ulën kokën e nuk të dëgjuan. Ti pate durim me ta për shumë vite e i qortove me anë të Shpirtit tënd e me anë të profetëve të tu, por ata nuk ta vunë veshin, prandaj ua le në dorë popujve të botës. Gjithsesi, falë mëshirës sate të madhe, nuk u dhe fund e nuk i braktise, se ti je Perëndi përdëllyes e i dhembshur. Tani, o Perëndia ynë, Perëndi i madh, i fuqishëm e i tmerrshëm, që e mban besëlidhjen e mirësinë, mos e nënçmo kobin që ra mbi ne, mbi mbretërit, prijësit, priftërinjtë, profetët e etërit tanë dhe mbi mbarë popullin tënd, që prej kohës së mbretërve të Asirisë e gjer më sot. Ti ke qenë i drejtë në gjithçka që ka rënë mbi ne, se ti ke vepruar me besnikëri e ne me ligësi. Mbretërit, prijësit, priftërinjtë dhe etërit tanë nuk e zbatuan ligjin tënd, nuk u kujdesën as për urdhërimet e tua, as për dëshmitë e tua përmes të cilave i qortove. Edhe kur patën mbretërinë e tyre, begatinë e madhe, që ti u dhe, dhe tokën e gjerë e pjellore, që ti ua dorëzove, nuk të shërbyen e nuk hoqën dorë nga veprimet e liga. Ja, sot ne jemi skllevër. Në tokën që ti ua dhe etërve tanë për t'u ushqyer me frytet e me të mirat e saj, ne tani jemi skllevër. Prodhimet e saj të begata i marrin mbretërit që ti i caktove mbi ne për shkak të mëkateve tona. Ata sundojnë mbi trupat tanë e mbi bagëtitë tona si të duan e ne jemi në ngushticë të madhe». «Për shkak të gjithë këtyre gjërave, ne po zotohemi me shkrim që mban vulën e prijësve, levitëve e priftërinjve tanë». Në shkrimin e vulosur gjenden këta emra: qeveritari Nehemia, biri i Hakaliahut, Sedekia, Serajahu, Azarjahu, Jeremia, Pashhuri, Amarjahu, Malkjahu, Hatushi, Shebanjahu, Maluku, Harimi, Meremoti, Abdia, Danieli, Ginetoni, Baruku, Meshulami, Abijahu, Mijamini, Mazjahu, Bilgai dhe Shemajahu. Këta janë priftërinjtë. Ndërsa levitët janë: Jozuehu, biri i Azanjahut, Binui, njëri prej bijve të Henadadit, Kadmieli, bashkë me vëllezërit e tyre Shebanjahu, Hodiahu, Kelitai, Pelajahu, Hanani, Mikai, Rehobi, Hashabiahu, Zakuri, Sherebiahu, Shebanjahu, Hodiahu, Baniu e Beninui. Krerët e popullit janë: Faroshi, Pahat Moabi, Elami, Zatui, Baniu, Buniu, Azgadi, Bebai, Adonjahu, Bigvai, Adini, Ateri, Ezekia, Azuri, Hodiahu, Hashumi, Becai, Harifi, Anatoti, Nobai, Magpiashi, Meshulami, Heziri, Meshezabeli, Cadoku, Jaduai, Pelatiahu, Hanani, Anajahu, Hosea, Hananiahu, Hashubi, Haloheshi, Pilhai, Shobeku, Rehumi, Hashabnahu, Masejahu, Ahijahu, Hanani, Ananiu, Maluku, Harimi e Banahu. Pjesa tjetër e popullit, priftërinjtë, levitët, derëtarët, këngëtarët, shërbestarët e tempullit dhe të gjithë ata që ishin ndarë nga popujt e botës për të përqafuar ligjin e Perëndisë, bashkë me gratë, bijtë e bijat e tyre, të gjithë ata që mund të merrnin vesh e të kuptonin u bashkuan me vëllezërit e fisnikët dhe bënë gjëmë e be për të jetuar sipas ligjit të Perëndisë, që ishte dhënë përmes Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, për të mbajtur e për të zbatuar të gjitha urdhërimet e Zotit, Zotit tonë, si edhe vendimet e rregullat e tij, domethënë: të mos ua japim bijat tona popujve të vendeve të tjera e të mos i marrim bijat e tyre për bijtë tanë; nëse popujt e vendeve të tjera sjellin mall apo grurë për të shitur ditën e shtunë, të mos ua blejmë as të shtunën, as në ditë të shenjtë. Të mos mbledhim as prodhimet e përfitimet e vitit të shtatë. Marrim përsipër detyrimin për të dhënë çdo vit një të tretën e siklës për shërbesën në tempullin e Perëndisë tonë: për bukën e paraqitjes, për flinë e drithit e për flinë e shkrumbimit, që kushtohen përherë, për flinë e të shtunave, të hënave të reja e të festave, për kushtimet e shenjta, për kushtimin e shlyerjes së mëkateve të Izraelit dhe për të gjitha punimet e tempullit të Perëndisë tonë. Hodhëm short mes priftërinjve, levitëve e popullit, për të sjellë drutë e flive në tempullin e Perëndisë tonë vit për vit në kohën e caktuar për secilën shtëpi të etërve tanë, që të digjet mbi altarin e Zotit, Perëndisë tonë, siç është shkruar në ligj. Do të sjellim çdo vit në tempullin e Zotit frytet e para të tokës sonë dhe çdo fryt të parë të çdo peme, si edhe të parëlindurit e bijve tanë e të bagëtive tona, siç është shkruar në ligj, por edhe të parëlindurit e tufave e grigjave tona do t'i paraqesim në tempullin e Perëndisë tonë, te priftërinjtë që shërbejnë në tempullin e Perëndisë tonë. Do t'u sjellim priftërinjve, në qilarët e tempullit të Perëndisë tonë, edhe brumin më të mirë, bashkë me dhuratat e me frytet e çdo peme, me verën e re e me vajin e ri, ndërsa levitëve do t'u japim një të dhjetën e prodhimit të tokës sonë. Levitët do t'i mbledhin vetë të dhjetat në të gjitha tokat e punuara nga ne. Prifti, pasardhësi i Aronit, do të jetë me levitët, kur levitët të mbledhin të dhjetat. Pastaj levitët do të sjellin një të dhjetën e të dhjetave në shtëpinë e Perëndisë sonë, në qilarët e thesarit të tempullit, sepse në ato qilarë bijtë e Izraelit e bijtë e levitëve do të sjellin kushtimin e grurit, të verës së re e të vajit të ri. Aty gjenden edhe enët e shenjtërores, si edhe priftërinjtë, që shërbejnë, bashkë me derëtarët e këngëtarët. Prandaj nuk do ta lëmë pas dore tempullin e Perëndisë tonë. Krerët e popullit u vendosën në Jerusalem dhe pjesa tjetër e popullit hodhi short për të sjellë nga një ndër dhjetë vetë me banim në Jerusalem, në qytetin e shenjtë, ndërsa nëntë të tjerët mund të rrinin në qytetet e tjera. Populli i bekoi të gjithë ata që shkuan me dëshirën e vet për të banuar në Jerusalem. Këta janë krerët e krahinës, të cilët u vendosën në Jerusalem. Në qytetet e tjera të Judës secili u vendos në pronën e vet, në qytetin e vet, si izraelitët, ashtu edhe priftërinjtë, levitët, shërbestarët dhe pasardhësit e shërbëtorëve të Solomonit. Në Jerusalem u vendosën disa prej pasardhësve të Judës dhe disa prej pasardhësve të Benjaminit. Prej pasardhësve të Judës ishin Atajahu, biri i Uziahut, të birit të Zakarisë, të birit të Amarjahut, të birit të Shefatjahut, të birit të Mahalalelit, njërit prej bijve të Perecit; Masejahu, biri i Barukut, të birit të Kolhozehut, të birit të Hazajahut, të birit të Adajahut, të birit të Jojaribit, të birit të Zakarisë, të birit të Shilonisë. Pasardhësit e Perecit, që u vendosën në Jerusalem, ishin gjithsej katërqind e gjashtëdhjetë e tetë burra trima. Pasardhësit e Benjaminit janë këta: Salui, biri i Meshulamit, të birit të Joedit, të birit të Pedajahut, të birit të Kolajahut, të birit të Masejahut, të birit të Itielit, të birit të Jeshajahut. Pas tij vinin Gabai e Salai. Ata ishin nëntëqind e njëzet e tetë. Joeli, biri i Zikriut, ishte mbikëqyrësi i tyre, ndërsa Juda, biri i Hasnuahut, ishte i dyti i qytetit. Prej priftërinjve ishin Jedajahu, biri i Jojaribit, Jakini, Serajahu, biri i Hilkiahut, të birit të Meshulamit, të birit të Cadokut, të birit të Merajotit, të birit të Ahitubit, përgjegjësit të tempullit të Perëndisë, bashkë me vëllezërit e tyre që punonin në tempull. Ata ishin tetëqind e njëzet e dy. Pastaj Adajahu, biri i Jerohamit, të birit të Pelaliahut, të birit të Amciut, të birit të Zakarisë, të birit të Pashhurit, të birit të Malkjahut, bashkë me vëllezërit e tij kryefamiljarë. Ata ishin dyqind e dyzet e dy. Pastaj Amashai, biri i Azarelit, të birit të Ahzajit, të birit të Meshilemotit, të birit të Imerit, bashkë me vëllezërit e tyre të fortë e trima. Ata ishin njëqind e njëzet e tetë. Mbikëqyrësi i tyre ishte Zabdieli, biri i Hagdolimit. Prej levitëve ishin Shemajahu, biri i Hashubit, të birit të Azrikamit, të birit Hashabiahut, të birit të Buniut; Shabetai e Jozabadi, prej krerëve të levitëve, të cilët kishin marrë përsipër punimet e jashtme të tempullit të Perëndisë; Matanjahu, biri i Mikahut, të birit të Zabdiut, të birit të Asafit, i cili kryesonte lutjen e falënderimit; Bakbukiahu, i dyti prej vëllezërve, dhe Abdai, biri i Shamuait, të birit të Galalit, të birit të Jedutunit. Levitët e pranishëm në qytetin e shenjtë ishin gjithsej dyqind e tetëdhjetë e katër. Derëtarët ishin Akubi, Talmoni dhe vëllezërit e tyre. Ata ruanin portat dhe ishin gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e dy. Pjesa tjetër e Izraelit, e priftërinjve dhe e levitëve u vendosën në të gjitha qytetet e Judës, secili në trashëgiminë e vet. Shërbestarët banonin në Ofel. Përgjegjësit e shërbestarëve ishin Cihai e Gishpai. Mbikëqyrësi i levitëve në Jerusalem ishte Uziu, biri i Baniut, të birit të Hashabiahut, të birit të Matanjahut, të birit të Mikait, njërit prej pasardhësve të Asafit, të cilët ishin këngëtarët e caktuar për t'u marrë me punët e tempullit të Perëndisë, sepse mbreti u kishte dhënë urdhër e porosi këngëtarëve për veprimtarinë e përditshme. Petahiahu, biri i Meshezabelit, njërit prej bijve të Zerahut, të birit të Judës, ishte mëkëmbësi i mbretit për të gjitha çështjet e popullit. Për sa u përket fshatrave me fushat e tyre, disa prej bijve të Judës u vendosën në Kirjat Arba e në rrethinat e tij; në Dibon e në rrethinat e tij; në Jekabcel e në fshatrat e tij; në Jeshua, në Moladah, në Bet Pelet, në Hacar Shual, në Bershebë e në rrethinat e saj, në Ciklag, në Mekonah e në rrethinat e tij, në En Rimon, në Corah, në Jarmuth, në Zanoah, në Adulam e në fshatrat e tyre, në Lakish e në fushat e tij, në Azekah e në rrethinat e tij. Ata e vunë fushimin nga Bersheba deri në luginën e Hinomit. Pasardhësit e Benjaminit u vendosën në Gebë, në Mikmas, në Ajah, në Betel e në rrethinat e tij, në Anatot, në Nob, në Ananiah, në Hacor, në Ramah, në Gitaim, në Hadid, në Ceboim, në Nebalat, në Lod, në Ono, që është Ge Harashimi. Një pjesë e levitëve të Judës u bashkuan me Benjaminin. Priftërinjtë dhe levitët që u kthyen me Zorobabelin, të birin e Shealtielit, e me Jozuehun janë këta: Serajahu, Jeremia, Ezra, Amarjahu, Maluku, Hatushi, Shekanjahu, Rehumi, Meremoti, Idoi, Gintoi, Abijahu, Mijamini, Madiahu, Bilgahu, Shemajahu, Jojaribi, Jedajahu, Salai, Amoku, Hilkiahu e Jedajahu. Këta ishin krerët e priftërinjve e të vëllezërve të tyre në kohën e Jozuehut. Levitët ishin Jozuehu, Binui, Kadmieli, Sherebiahu, Juda e Matanjahu, i cili bashkë me vëllezërit e vet kujdesej për këngët e lavdit. Vëllezërit e tyre Bakbukiahu e Uniu shërbenin kundruall tyre. Jozuehut i lindi Jojakimi, Jojakimit i lindi Eliashibi, Eliashibit i lindi Jojadai, Jojadait i lindi Jonatani e Jonatanit i lindi Jaduai. Në kohën e Jojakimit priftërinjtë kryefamiljarë ishin Merajahu për familjen e Serajahut; Hananiahu për familjen e Jeremisë; Meshulami për familjen e Ezrës; Jehohanani për familjen e Amarjahut; Jonatani për familjen e Melikuit; Jozefi për familjen e Shebanjahut; Adnai për familjen e Harimit; Helkaji për familjen e Merajotit; Zakaria për familjen e Idoit; Meshulami për familjen e Ginetonit; Zikriu për familjen e Abijahut; Piltai për familjen e Minjaminit të Moadiahut; Shamuai për familjen e Bilgahut; Jonatani për familjen e Shemajahut; Matenai për familjen e Jojaribit; Uziu për familjen e Jedajahut; Kalai për familjen e Salait; Eberi për familjen e Amokut; Hashabiahu për familjen e Hilkiahut; Netaneli për familjen e Jedajahut. Në kohën e Eliashibit, të Jojadait, të Johananit e të Jaduait, deri në kohën e mbretërimit të Darit të Persisë, levitët u regjistruan sipas kryefamiljarëve, sikurse edhe priftërinjtë. Kryefamiljarët e pasardhësve të Levit u regjistruan në librin e Kronikave deri në ditët e Johananit, birit të Eliashibit. Krerët e levitëve, Hashabiahu, Sherebiahu e Jozuehu, biri i Kadmielit, bashkë me vëllezërit e tyre, që u rrinin kundruall, këndonin me radhë lavde e falënderime, sipas urdhrit të Davidit, njeriut të Perëndisë. Matanjahu, Bakbukiahu, Abdia, Meshulami, Talmoni e Akubi ishin derëtarë e ruanin qilarët e portave. Këta jetuan në kohën e Jojakimit, birit të Jozuehut, të birit të Jocadakut, kur Nehemia ishte qeveritar e prifti Ezra ishte shkrues. Për kushtimin e mureve të Jerusalemit njerëzit kërkuan levitët prej të gjitha vendeve, që t'i sillnin në Jerusalem, për ta kremtuar kushtimin me gëzim, me falënderim, me këngë, me cimbale, me lira e me harpa. Këngëtarët u mblodhën nga rrethinat e Jerusalemit, nga fshatrat e Netofatitit, nga Bet Gilgali e nga krahina e Gebës dhe Azmavetit, sepse këngëtarët kishin ndërtuar për vete fshatra përreth Jerusalemit. Priftërinjtë e levitët u pastruan vetë e pastaj pastruan popullin, portat e murin. Atëherë unë ngjita mbi mur prijësit e Judës dhe caktova dy kore të mëdha që këndonin këngë falënderimi për parakalim. Njëri shkoi mbi mur në të djathtë, në drejtim të Portës së Hedhurinave. Pas tyre shkuan Hoshajahu, gjysma e prijësve të Judës, Azarjahu, Ezra, Meshulami, Juda, Benjamini, Shemajahu, Jeremia e disa priftërinj të rinj me trumbeta, Zakaria, biri i Jonatanit, të birit të Shemajahut, të birit të Matanjahut, të birit të Mikahut, të birit të Zakurit, të birit të Asafit, bashkë me vëllezërit e tij Shemajahun, Azarelin, Milalain, Gilalain, Main, Netanelin, Judën e Hananiun, me veglat muzikore të Davidit, njeriut të Perëndisë. Para tyre ecte shkruesi Ezra. Kur mbërritën te Porta e Gurrës, u ngjitën drejt nëpër shkallët e Qytetit të Davidit, tek e përpjeta e murit mbi shtëpinë e Davidit, në drejtim të Portës së Ujit, në lindje. Kori tjetër shkoi në të majtë e unë shkova pas tyre mbi mur me gjysmën tjetër të popullit, përtej Kullës së Furrave, në drejtim të Murit të Gjerë. Kaluam Portën e Efraimit, Portën e Vjetër, Portën e Peshqve, Kullën e Hananelit, Kullën e të Njëqindve dhe Portën e Deleve. Ata u ndalën te Porta e Burgut. Të dy koret u ndalën te tempulli i Perëndisë e bashkë me ta edhe unë e gjysma e zyrtarëve, që ishin me mua, si edhe priftërinjtë Eliakimi, Masejahu, Minjamini, Mikahu, Eljoenai, Zakaria e Ananjahu, që mbanin trumbetat. Ishin edhe Masejahu, Shemajahu, Eleazari, Uziu, Jehohanani, Malkjahu, Elami dhe Ezeri. Atëherë këngëtarët kënduan nën drejtimin e Izrahjahut. Atë ditë ata kushtuan flijime të mëdha e u ngazëlluan, sepse Perëndia i kishte ngazëlluar shumë. U gëzuan edhe gratë e fëmijët dhe ngazëllimi i Jerusalemit u dëgjua që nga larg. Atë ditë disa burra u caktuan kujdestarë të kthinave të grumbullimit të dhuratave, të të lashtave e të të dhjetave, që të grumbullonin në to nga fushat përreth qyteteve pjesën që u takonte me ligj priftërinjve e levitëve, duke qenë se judenjtë u ngazëlluan me priftërinjtë e levitët që shërbenin. Ata kryen shërbesën e Perëndisë së tyre, si edhe shërbesën e pastrimit. Kështu vepruan edhe këngëtarët e derëtarët, sipas urdhrit të Davidit e birit të tij, Solomonit. Dikur, në kohën e Davidit e të Asafit, këngëtarët kishin pasur drejtues. Kishin pasur edhe këngë lavdi e falënderimi për Perëndinë. Në kohën e Zorobabelit e të Nehemisë mbarë Izraeli u jepte këngëtarëve e derëtarëve pjesën e përditshme. Ata ndanin veç pjesën që u takonte levitëve e levitët ndanin veç pjesën që u takonte pasardhësve të Aronit. Në atë kohë u lexua para popullit libri i Moisiut, ku u gjet e shkruar se amoniti e moabiti nuk mund të hyjnë kurrë në bashkësinë e Perëndisë, se nuk u kishin dalë para izraelitëve me bukë e ujë, por kishin mëditur kundër tyre Balaamin, që t'i mallkonte, megjithëse Perëndia ynë e pati kthyer mallkimin në bekim. Kur populli e dëgjoi ligjin, i ndanë nga Izraeli të gjithë ata që kishin tjetër prejardhje. Para këtyre ngjarjeve, prifti Eliashib, që ishte caktuar përgjegjës i qilarit të tempullit të Perëndisë tonë e ishte i afërm i Tobisë, i kishte dhënë këtij një qilar të madh, në të cilën më parë vendosnin grurin e kushtuar, temjanin, enët, të dhjetën e grurit, verën e vajin, që ishte urdhëruar t'u jepeshin levitëve, këngëtarëve e derëtarëve, si edhe pjesën që u takonte priftërinjve. Kur ndodhën të gjitha këto, unë nuk gjendesha në Jerusalem, sepse në vitin e tridhjetë e dytë të Artakserksit, mbretit të Babilonisë, kisha shkuar te mbreti. Pas njëfarë kohe i kërkova leje mbretit, shkova në Jerusalem dhe u njoha me të keqen që kishte bërë Eliashibi në dobi të Tobisë, duke i dhënë një qilar në tremet e tempullit të Perëndisë. U hidhërova shumë e i flaka të gjitha enët e shtëpisë së Tobisë jashtë qilarit. Pastaj u urdhërova t'i pastronin qilarët dhe ktheva aty enët e tempullit të Perëndisë, grurin e kushtuar e temjanin. Mora vesh edhe se levitëve nuk u ishte dhënë pjesa që u takonte, prandaj levitët e këngëtarët, që duhej të kryenin shërbesën, ishin kthyer me vrap secili në vendin e vet. Atëherë i qortova zyrtarët e u thashë: «Pse është lënë pas dore tempulli i Perëndisë?». Pastaj i mblodha levitët dhe këngëtarët e i vura në detyrën e vet. Të gjithë judenjtë sollën në thesar të dhjetën e grurit, verën e re e vajin e ri. Unë caktova përgjegjës të thesareve priftin Shelemiah, shkruesin Cadok e Pedajahun prej levitëve e ndihmës Hananin, birin e Zakurit, të birit të Matanjahut, sepse ishin të besueshëm. Ata e kishin për detyrë t'i ndanin gjërat me vëllezërit. Kujtomë për këtë, o Perëndia im, e mos e zhbëj të mirën që bëra në tempullin e Perëndisë tim e në shërbim të tij. Ato ditë pashë në Judë njerëz që shtrydhnin torkun të shtunën, mbartnin duaj gruri e i ngarkonin mbi gomarë, por edhe verë, rrush, fiq e gjithfarë ngarkese, që i sillnin në Jerusalem ditën e shtunë. Unë i kundërshtova atë ditë kur shitën ushqim. Aty gjendeshin edhe disa banorë nga Tiri, të cilët sillnin peshk e gjithfarë malli për t'ua shitur izraelitëve të shtunën në Jerusalem. Atëherë i qortova fisnikët e Judës e u thashë: «Ç'është kjo gjë e keqe që po bëni, duke përdhosur ditën e shtunë? A nuk vepruan kështu edhe etërit tuaj? Prandaj Perëndia çoi tërë këtë zezonë mbi ne e mbi këtë qytet. Por ju, duke e përdhosur të shtunën, po e shtoni zemërimin kundër Izraelit». Me të rënë muzgu mbi portat e Jerusalemit në prag të së shtunës, urdhërova të mbylleshin dyert e të mos hapeshin deri pas së shtunës, prandaj vura te portat disa nga shërbëtorët e mi, që të mos hynte brenda asnjë ngarkesë ditën e shtunë. Një a dy herë tregtarët e shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jerusalemit. Atëherë unë i qortova e u thashë: «Pse e kaloni natën te muri? Nëse veproni kështu, do të vë dorë mbi ju». Që prej asaj kohe nuk erdhën më të shtunën. Pastaj u thashë levitëve të pastroheshin e të vinin të ruanin portat, për ta shenjtëruar ditën e shtunë. Kujtomë edhe për këtë, o Perëndia im, e përdëllemë sipas mirësisë sate të madhe. Po në atë kohë pashë se disa judenj ishin martuar me gra nga Ashdodi, nga Amoni e nga Moabi. Gjysma e bijve të tyre flisnin gjuhën e Ashdodit e gjuhët e popujve të tjerë, por nuk ishin në gjendje të flisnin gjuhën e Judës. Atëherë i qortova e i mallkova, disa prej tyre i rraha, u shkula flokët e i bëra të betoheshin në Perëndinë, që të mos ua jepnin bijat e veta bijve të tyre e të mos i merrnin bijat e tyre as për bijtë e vet e as për vete. «A nuk mëkatoi kështu edhe Solomoni, mbreti i Izraelit? E pra, mes popujve të shumtë nuk pati mbret si ai. Perëndia e deshi dhe e bëri mbret mbi mbarë Izraelin, por edhe atë gratë e huaja e bënë të mëkatonte. Nuk duam të dëgjojmë gjithë këtë gabim të madh tuajin. Nuk i ndenjët besnikë Perëndisë tonë e u martuat me gra të huaja». Njëri prej bijve të Jojadait, të birit të kryepriftit Eliashib, ishte dhëndri i Sanbalat Horonitit, prandaj e dëbova larg meje. «Kujtou, o Perëndia im, se ata e kanë përdhosur priftërinë dhe besëlidhjen e priftërinjve e të levitëve». Kështu, i pastrova nga çdo gjë e huaj dhe caktova shërbesat e priftërinjve e të levitëve, sipas punëve të secilit. Urdhërova edhe kushtimin e drurëve e të të lashtave në kohën e caktuar. «Kujtomë për mirë, o Perëndia im!». Në kohën e Kserksit, të atij Kserksit që sundoi mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina nga India deri në Kush, në atë kohë, pra, kur Kserksi ishte mbret mbi fronin e mbretërisë së vet, që gjendej në kështjellën e Shushanit, në vitin e tretë të mbretërimit të tij, ai shtroi një gosti për të gjithë prijësit dhe nëpunësit e vet. Ishin të pranishëm edhe ushtarakët e Persisë e të Medës, bashkë me fisnikët dhe kryetarët e krahinave, kur ai shfaqi begatinë lavdiplotë të mbretërisë së tij dhe nderin hijerëndë të madhështisë që zgjati shumë kohë: njëqind e tetëdhjetë ditë. Pas këtyre ditëve, mbreti shtroi një gosti shtatëditore, në kopshtin e pallatit mbretëror, për mbarë popullin që gjendej në kështjellën e Shushanit, për të madh e për të vogël. Pëlhura pambuku vjollcë, lidhur me gjalma liri e purpuri, vareshin në shtiza argjendi e shkopinj mermeri, ndërsa ndenjëset e arta e të argjendta ishin vendosur mbi shtrojën prej graniti, mermeri, margaritarësh e gurësh. Pija shërbehej në enë ari, të larmishme, dhe verë mbretërore kishte me shumicë, siç i ka hije mbretit. Sipas dokeve, për pijen nuk kishte asnjë detyrim, se mbreti i kishte urdhëruar të gjithë përgjegjësit e pallatit të vet të vepronin si t'ua kishte ënda. Edhe mbretëresha Vashti shtroi një gosti për gratë në pallatin mbretëror të mbretit Kserks. Ditën e shtatë, kur mbreti ishte ngazëlluar me verë, u tha Mehumanit, Biztait, Harbonait, Bigtait, Abagtait, Zetarit e Karkasit, shtatë eunukëve që i shërbenin mbretit Kserks, të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorë mbretërore, për t'i treguar popullit e prijësve bukurinë e saj, se ajo ishte e hijshme për t'u parë. Mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte, siç e kishte urdhëruar mbreti me anë të eunukëve. Atëherë mbreti u zemërua fort dhe zjeu nga mëria, prandaj iu drejtua të urtëve, që i njihnin doket, sepse çështjet e mbretit shtroheshin para tërë njohësve të ligjit e të dokeve, dhe ata që ai mbante më afër ishin Karshenai, Shetari, Admatai, Tarshishi, Meresi, Marsenai e Memukani, shtatë prijës të Persisë e të Medës, të cilët shiheshin me mbretin e zinin kryet e vendit në mbretëri: «Sipas ligjit, si duhet vepruar me mbretëreshën Vashti, pasi ajo nuk e zbatoi urdhrin që i dha mbreti Kserks me anë të eunukëve?». Atëherë Memukani tha para mbretit e prijësve: «Mbretëresha Vashti nuk gaboi vetëm kundrejt mbretit, por kundrejt gjithë prijësve e mbarë popujve që gjenden në krahinat e mbretit Kserks, sepse të gjitha gratë do ta marrin vesh këtë veprim të mbretëreshës, do t'i përçmojnë burrat e vet e do të thonë: mbreti Kserks urdhëroi të sillnin para tij mbretëreshën Vashti, por ajo nuk erdhi. Që nga sot, fisniket e Persisë e të Medës, që dëgjuan çfarë bëri mbretëresha, do t'u tregojnë të gjithë prijësve të mbretit e do të ketë shumë përçmim e zemëratë. Nëse mbretit i duket e përshtatshme, le të nxjerrë një urdhër mbretëror ai vetë e le të shkruhet ndër ligjet e Persisë e të Medës, që të mbetet i pakthyeshëm, se Vashti nuk do të dalë më para mbretit Kserks e vendin e saj mbretëror t'ia japë mbreti një tjetër gruaje më të mirë se ajo. Kur këtë vendim, që do të nxjerrë mbreti, ta marrë vesh mbarë mbretëria, sado që është e madhe, të gjitha gratë, nga më e rëndësishmja deri te më e parëndësishmja, do t'i nderojnë burrat e vet». Kjo gjë i pëlqeu mbretit e prijësve, prandaj mbreti veproi siç i tha Memukani. U dërgoi letra të gjitha krahinave të mbretërisë, secilës krahinë sipas shkrimit të vet e secilit popull në gjuhën e vet, me qëllim që secili burrë të sundonte në shtëpinë e vet e të fliste me gjuhën e popullit të vet. Pas këtyre ngjarjeve, pasi mbretit Kserks i kishte kaluar zemërimi, i ra ndër mend për Vashtin, sesi kishte vepruar ajo e ç'vendim ishte marrë kundër saj. Atëherë shërbëtorët e mbretit, që kujdeseshin për të, thanë: «Të kërkohen për mbretin vasha me pamje të hijshme e mbreti të caktojë porositës në të gjitha krahinat e mbretërisë së vet, për t'i mbledhur të gjitha vashat me pamje të hijshme në kështjellën e Shushanit, në shtëpinë e grave, nën mbikëqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit, që kujdeset për gratë dhe ai do t'u japë të lahen. Ajo vajzë, që do t'i pëlqejë mbretit, do të mbretërojë në vend të Vashtit». Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe ashtu veproi. Në kështjellën e Shushanit ishte një jude me emrin Mordakai, që ishte biri i Jairit, të birit të Shimeit, të birit të Kishit, nga fisi i Benjaminit. Ai ishte larguar nga Jerusalemi me ata që ishin dëbuar me Jehoninë, mbretin e Judës, nga Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Kishte rritur Hadasanë, domethënë Esterën, bijën e të ungjit, që kishte mbetur pa të atin e pa të ëmën. Vajza kishte tipare të bukura dhe ishte e hijshme për t'u parë. Mordakai e kishte marrë për bijë, pasi asaj i kishin vdekur i ati dhe e ëma. Kur doli urdhri i mbretit dhe vendimi i tij e kur në kështjellën e Shushanit u mblodhën shumë vajza nën mbikëqyrjen e Hegait, sollën edhe Esterën në shtëpinë e mbretit, nën mbikëqyrjen e Hegait, kujdestarit të grave. Vajza i pëlqeu e iu duk e këndshme, prandaj nxitoi t'i jepte për t'u larë e për të ngrënë. I dha edhe shtatë vajza të zgjedhura nga shtëpia e mbretit dhe e vendosi me vajzat në pjesën më të mirë të shtëpisë së grave. Estera nuk kishte folur as për popullin, as për fisin e vet, se Mordakai e kishte urdhëruar të mos tregonte. Mordakai bënte ecejake çdo ditë kundruall tremes së shtëpisë së grave, për të marrë vesh si ishte Estera e çfarë do të bënin me të. Erdhi radha që secila vajzë të paraqitej te mbreti Kserks, pasi t'i kishte mbushur dymbëdhjetë muajt e rregullores për gratë, kohë gjatë së cilës duhej të laheshin për gjashtë muaj me mirrë e gjashtë muaj me vajra erëmirë e me zbukurues për gratë. Kur vajza shkonte te mbreti, i jepnin gjithçka kërkonte të merrte me vete nga shtëpia e grave te shtëpia e mbretit. Mbrëmjeve hynte brenda e në mëngjes kthehej në shtëpinë tjetër të grave që ishte nën mbikëqyrjen e Shashgazit, eunukut të mbretit, kujdestarit të shemrave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, përveçse po t'i pëlqente mbretit e ai ta thërriste me emër. Kur Esterës, së bijës së Abihajlës, të ungjit të Mordakait, që ky e kishte marrë si bijë, i erdhi radha të shkonte te mbreti, ajo nuk kërkoi asgjë përveç çfarë i tha Hegai, eunuku i mbretit, kujdestari i grave. Estera u pëlqente të gjithë atyre që e shikonin. Ajo u paraqit te mbreti Kserks, në shtëpinë mbretërore, në muajin e dhjetë, domethënë në muajin Tebet, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij, dhe mbreti e deshi Esterën mbi të gjitha gratë. Ajo fitoi pëlqimin dhe përkrahjen e tij më shumë se të gjitha vashat e tjera, prandaj ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e shpalli mbretëreshë në vend të Vashtit. Atëherë mbreti shtroi një gosti të madhe për të gjithë prijësit e shërbëtorët e tij, gostinë e Esterës, caktoi një festë për krahinat dhe shpërndau dhurata, siç i ka hije mbretit. Kur vashat u mblodhën sërish, Mordakai u gjend pranë portës së mbretit. Estera nuk kishte treguar cilit komb e popull i përkiste, siç e kishte urdhëruar Mordakai, se ajo e zbatonte urdhrin e Mordakait, siç kishte vepruar kur ishte rritur tek ai. Gjatë atyre ditëve, kur Mordakai rrinte te porta e mbretit, Bigtani e Tereshi, dy nga eunukët e mbretit, që ruanin pragun, u zemëruan dhe vendosën të vinin dorë mbi mbretin Kserks, por Mordakai e mori vesh këtë gjë e ia tregoi mbretëreshës Ester. Ajo ia tregoi mbretit, në emër të Mordakait. Mbreti e hetoi këtë çështje, që doli e vërtetë, e ata të dy u varën në pemë. Kjo gjë u shkrua në librin e Kronikave, në praninë e mbretit. Pas këtyre ngjarjeve, mbreti Kserks e bëri të rëndësishëm Hamanin, birin e Hamdata Agagitit, e lartësoi dhe ia vuri fronin mbi të gjithë princat që kishte me vete. Të gjithë shërbëtorët e mbretit, që rrinin te porta e mbretit, binin në gjunjë e përkuleshin para Hamanit, se kështu kishte urdhëruar mbreti të silleshin me të. Por, Mordakai as binte në gjunjë, as përkulej. Shërbëtorët e mbretit, që rrinin te porta e mbretit, e pyetën Mordakain: «Pse e shkel ti urdhrin e mbretit?». Por ai, edhe pse e pyesnin ditë për ditë, nuk ua vinte veshin. Atëherë ata i treguan Hamanit, për të parë a do të dilte fjala e Mordakait që u kishte treguar se ishte jude. Hamani vuri re se Mordakai as gjunjëzohej, as përkulej para tij dhe u mbush me zemërim. Megjithatë, iu duk gjë e vogël të vinte dorë vetëm mbi Mordakain, prandaj, meqë i kishin treguar se cilit popull i përkiste, Hamani kërkoi të shfaroste të gjithë judenjtë, popullin e Mordakait, që gjendej në mbarë mbretërinë e Kserksit. Në muajin e parë, që është muaji Nisan, në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Kserks, u hodh Pur, domethënë short, para Hamanit, ditë për ditë e muaj për muaj, deri në muajin e dymbëdhjetë që është muaji Adar. Atëherë Hamani i tha mbretit Kserks: «Ndër popujt e mbarë krahinave të mbretërisë sate është përhapur një popull i veçantë që ligjet i ka ndryshe nga të gjithë popujt. Ata nuk i zbatojnë ligjet e mbretit, prandaj nuk është në dobi të mbretit t'i durojë. Po t'i pëlqejë mbretit, le të jepet urdhër me shkrim për t'i shfarosur e unë do t'u dorëzoj nëpunësve dhjetë mijë sikla argjendi, për t'i shtënë në thesaret e mbretit». Atëherë mbreti hoqi unazën nga dora, ia dha Hamanit, birit të Hamdata Agagitit, armikut të judenjve e i tha: «Argjendin mbaje për vete e me popullin bëj ç'të duash». Në ditën e trembëdhjetë të muajit të parë u thirrën shkruesit mbretërorë dhe, sipas urdhrave të Hamanit, u shkruan të gjithë satrapëve të mbretit, qeveritarëve të çdo krahine e princave të çdo populli, secilës krahinë me shkrimin e vet dhe secilit popull në gjuhën e vet. U shkrua në emër të mbretit Kserks dhe u vulos me unazën e mbretit. Letrat iu dërguan të gjitha krahinave të mbretit, me anë të lajmëtarëve, për të shfarosur, për të vrarë e për të rrënuar të gjithë judenjtë, nga më i riu te më i vjetri, me fëmijë e gra, në një ditë të vetme, në ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji Adar, e për t'ua plaçkitur pasurinë. Një kopje e letrës i duhej dhënë si ligj çdo krahine për ta njoftuar popullin që të gjendej i gatshëm për këtë ditë. Lajmëtarët u nisën me vrap, sipas urdhrit të mbretit, dhe lajmi u shpall në kështjellën e Shushanit. Atëherë mbreti e Hamani u ulën të pinin, por qyteti i Shushanit u pështjellua. Mordakai, pasi mori vesh se çfarë kishte ndodhur, shqeu rrobat, u mbështoll me grathore e me hi, doli në mes të qytetit dhe lëshoi një britmë hidhërimi. Por, te porta e mbretit u ndal, sepse kush ishte i veshur me grathore nuk mund ta kapërcente portën e mbretit. Në të gjitha krahinat, kudo që u shpall urdhri dhe ligji i mbretit, judenjtë bënë gjëmë të madhe, agjëruan, qanë, vajtuan, u veshën me grathore dhe shumë fjetën mbi hi. Kur shërbëtoret e Esterës dhe eunukët erdhën e i treguan, mbretëresha u trishtua shumë. Ajo i dërgoi Mordakait rroba, që të vishej e të hiqte grathoren, por ai nuk pranoi. Pastaj Estera thirri Hatakun, njërin nga eunukët, që mbreti ia kishte vënë në gatishmëri, dhe e urdhëroi të shkonte te Mordakai për të marrë vesh ç'kishte ndodhur dhe pse po sillej ashtu. Hataku shkoi te Mordakai, te sheshi i qytetit, përballë portës së mbretit. Mordakai i tregoi çfarë i kishte ndodhur, si dhe për sasinë e argjendit që Hamani kishte thënë se do të derdhte në thesarin e mbretit për rrënimin e judenjve. I dha edhe kopjen e ligjit të shkruar, që kishte dalë në Shushan për shfarosjen e tyre, që t'ia dëftonte Esterës, ta njoftonte e ta urdhëronte të shkonte te mbreti, për t'i kërkuar hir e për t'iu lutur për popullin e vet. Hataku shkoi e i tregoi Esterës fjalët e Mordakait. Atëherë Estera e urdhëroi Hatakun t'i thoshte Mordakait: «Të gjithë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e di se për çdo burrë a grua që shkon te mbreti përmes oborrit të brendshëm pa u thirrur, ka vetëm një ligj, dënim me vdekje, përveç atij mbi të cilin mbreti vendos skeptrin e artë që të mbetet gjallë. Edhe unë vetë kam tridhjetë ditë që nuk jam thirrur të shkoj te mbreti». Fjalët e Esterës ia treguan Mordakait dhe ai ktheu këtë përgjigje: «Mos të të shkojë ndër mend se do të shpëtosh vetëm ti nga të gjithë judenjtë në pallatin mbretëror. Sepse, nëse do të heshtësh tani, judenjve do t'u vijë shpëtimi e liria prej tjetërkund, ndërsa ti e shtëpia e atit tënd do të rrënoheni. Kush e di, ndoshta, u bëre mbretëreshë pikërisht për një kohë si kjo?». Estera i ktheu këtë përgjigje Mordakait: «Shko, mblidh të gjithë judenjtë që gjenden në Shushan e agjëroni për mua. Mos hani as mos pini për tri ditë, natë e ditë. Edhe unë e shërbëtoret e mia do të agjërojmë njësoj. Kështu do të hyj te mbreti kundër ligjit edhe në marrsha fund. Atëherë Mordakai shkoi e bëri gjithçka i urdhëroi Estera». Ditën e tretë, Estera veshi rrobat mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit mbretëror, përballë pallatit mbretëror. Mbreti rrinte ulur mbi fronin mbretëror në pallat, kundruall hyrjes së pallatit. Kur mbreti e pa Esterën tek qëndronte në oborr, iu duk e hijshme. Mbreti shtriu drejt Esterës skeptrin e artë që mbante në dorë. Estera u afrua dhe preku majën e skeptrit. Atëherë mbreti i tha: «Çfarë ke, mbretëresha Ester? Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet». Estera u përgjigj: «Nëse i pëlqen mbretit, le të vijnë sot mbreti me Hamanin në gostinë që kam shtruar për të». Mbreti tha: «Silleni shpejt Hamanin e të bëjmë siç tha Estera». Atëherë mbreti shkoi me Hamanin në gostinë që kishte shtruar Estera. Kur u shtrua vera, mbreti e pyeti Esterën: «Ç'lutje ke? Do të të plotësohet. Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet». Atëherë Estera u përgjigj: «Lutja ime dhe dëshira ime është kjo: nëse kam gjetur hir para mbretit e nëse mbretit i duket gjë e mirë të ma plotësojë lutjen e të ma kryejë kërkesën, le të vijë mbreti me Hamanin në gostinë që do të shtroj për ta dhe nesër unë do të bëj siç tha mbreti». Atë ditë Hamani doli i gëzuar e plot hare, por, kur pa Mordakain te porta e mbretit, që nuk u çua e nuk luajti vendit për të, u mbush me zemërim kundër tij. Megjithatë, u përmbajt, shkoi në shtëpi dhe thirri miqtë dhe Zereshën, gruan e vet. Hamani u tregoi për madhështinë e pasurisë së vet, për bijtë e vet të shumtë, sesi mbreti e kishte lartësuar e si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e vet. Hamani u tha: «Edhe mbretëresha Ester nuk ftoi askënd tjetër përveç meje në gostinë që shtroi për mbretin. Jam i ftuar të shkoj tek ajo me mbretin edhe nesër. Por, gjithë kjo nuk më mjafton për sa kohë ta shoh jude Mordakain ulur te porta e mbretit». Atëherë Zeresha, gruaja e tij, dhe të gjithë miqtë i thanë: «Le të ngrihet një shtyllë njëzet e pesë metra e lartë e nesër thuaji mbretit ta varin në të Mordakain. Pastaj shko i gëzuar në gosti me mbretin». Kjo i pëlqeu Hamanit dhe ai përgatiti shtyllën. Atë natë mbretin nuk e zuri gjumi, prandaj kërkoi t'i sillnin librin e Kujtimeve, Kronikat, që u lexuan para mbretit. U gjet e shkruar se Mordakai kishte kallëzuar Bigtanain e Tereshin, eunukët e mbretit, dy roja të pragut, që ishin përpjekur të vinin dorë mbi mbretin Kserks. Atëherë mbreti pyeti: «Çfarë nderimi e lartësimi i është dhënë Mordakait për këtë?». Shërbëtorët që i shërbenin mbretit, thanë: «Asgjë nuk është bërë për të». Mbreti pyeti: «Kush është në oborr?». Hamani kishte ardhur në oborrin e jashtëm të pallatit mbretëror, për t'i kërkuar mbretit ta varte Mordakain në shtyllën që kishte ngulur për të. Shërbëtorët i thanë mbretit: «Ja, në oborr është Hamani». Mbreti tha: «Le të hyjë». Hamani hyri dhe mbreti e pyeti: «Çfarë duhet bërë për një njeri, të cilin mbreti dëshiron ta nderojë?». Hamani mendoi me vete: «Kë vallë dëshiron të nderojë mbreti më shumë se mua?». Atëherë Hamani iu përgjigj mbretit: «Për njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë, le të sillen petkat mbretërore që vesh mbreti, kali që kalëron mbreti e le t'i vihet në kokë kurora mbretërore. Petkat dhe kali t'i dorëzohen njërit prej princave fisnikë të mbretit, ta veshin njeriun që mbreti dëshiron të nderojë, ta çojnë të kalërojë sheshit të qytetit e të thërrasin para tij: “Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë”». Mbreti i tha Hamanit: «Shpejto, merr petkat dhe kalin, siç the vetë, e vepro kështu me Mordakain, judeun që rri ulur te porta e mbretit. Mos lër asgjë pa bërë nga ato që the». Hamani mori petkat dhe kalin, veshi Mordakain, e çoi të kalëronte sheshit të qytetit dhe thirri para tij: «Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë». Pastaj Mordakai u kthye te porta e mbretit, ndërsa Hamani nxitoi për në shtëpi i pikëlluar e me kokën mbuluar. Hamani i tregoi gruas së vet, Zereshës, dhe të gjithë miqve gjithçka i kishte ndodhur. Këshilltarët e tij dhe gruaja e vet, Zeresha, i thanë: «Nëse Mordakai, kundrejt të cilit fillove të gremisesh, është prej fisit të judenjve, ti nuk do ta mundësh dot, se do të gremisesh para tij». Ata ishin ende duke folur, kur erdhën eunukët e mbretit dhe e morën me të shpejtë Hamanin në gostinë që kishte përgatitur Estera. Hamani dhe mbreti shkuan në gostinë e mbretëreshës Ester. Edhe ditën e dytë, kur po pihej verë, mbreti i tha Esterës: «Cila është kërkesa jote, mbretëresha Ester, se do të të plotësohet? Çfarë dëshire ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet». Mbretëresha Ester u përgjigj: «Nëse kam gjetur hir para syve të tu, o mbret, e nëse i pëlqen mbretit, le të më falet jeta mua, sipas lutjes sime, e popullit tim, sipas kërkesës sime, sepse unë dhe populli im jemi shitur për t'u shfarosur, për t'u vrarë e për t'u rrënuar. Po të ishim shitur për t'u bërë skllevër e skllave, do të kisha heshtur, se s'do të ishte brengë për të trazuar mbretin». Atëherë mbreti Kserks i tha mbretëreshës Ester: «Kush është e ku është ai që ia bën zemra të veprojë kështu?». Estera u përgjigj: «Një njeri kundërshtar e armik, Hamani i lig». Hamani u tmerrua para mbretit e mbretëreshës. Mbreti e la verën, u ngrit i zemëruar e doli në kopshtin e pallatit, ndërsa Hamani ndenji për t'iu lutur mbretëreshës Ester që t'i falej jeta, sepse e pa se, nga ana e mbretit, ishte marrë vendimi për ta ndëshkuar. Pastaj mbreti u kthye nga kopshti i pallatit në dhomën e gostisë e Hamani ra në divanin ku gjendej Estera. Atëherë mbreti tha: «Edhe mbretëreshën do ta dhunojë ky, me mua në shtëpi?». Sapo doli fjala nga goja e mbretit, Hamanit ia mbuluan fytyrën. Harbonai, njëri nga eunukët, tha në praninë e mbretit: «Ja, Hamani ka ngritur edhe një shtyllë njëzet e pesë metra të lartë për Mordakain, i cili foli mirë për mbretin. Është në shtëpinë e Hamanit». Mbreti tha: «Vareni në të!». Atëherë e varën Hamanin në shtyllën që kishte përgatitur për Mordakain dhe mbretit i ra zemërimi. Atë ditë mbreti Kserks i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit, përndjekësit të judenjve. Mordakai doli para mbretit, sepse Estera i kishte treguar se çfarë e kishte. Atëherë mbreti hoqi unazën, që i kishte marrë Hamanit, e ia dha Mordakait. Pastaj Estera e caktoi Mordakain zot të shtëpisë së Hamanit. Estera doli për të folur përsëri para mbretit, ra te këmbët e tij, qau dhe i kërkoi të shmangej ligësia e Haman Agagitit e shestimi i tij kundër judenjve. Mbreti shtriu drejt Esterës skeptrin e artë dhe Estera u ngrit, qëndroi para mbretit e tha: «Nëse i pëlqen mbretit, nëse kam gjetur hir para tij, nëse i duket gjë e përshtatshme mbretit e nëse unë i dukem e pranueshme, le të shkruhet një letër për të kthyer mbrapsht letrat me shestimet e Haman Agagitit, birit të Hamdatait, që ai i ka shkruar për të rrënuar judenjtë e të gjitha krahinave të mbretit. Sepse, si do të mund të duroj e ta shoh zezonën që do t'i bjerë popullin tim? Si do të duroj e ta shoh rrënimin e fisit tim?». Mbreti Kserks iu përgjigj mbretëreshës Ester dhe judeut Mordakai: «Ja, shtëpinë e Hamanit ia dhashë Esterës dhe atë e vara në shtyllë, sepse ngriti dorë kundër judenjve. Shkruani për judenjtë si t'ju pëlqejë, në emër të mbretit, dhe vulosni me unazën e mbretit, sepse çfarë shkruhet në emër të mbretit dhe vuloset me unazën e mbretit nuk mund të kthehet mbrapsht». Në atë kohë, më njëzet e tre të muajit të tretë, që është muaji Sivan, thirrën shkruesit e mbretit sipas të gjitha urdhrave të Mordakait. Ata u shkruan judenjve, satrapëve, qeveritarëve dhe kryetarëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, nga India në Kush, secilës krahinë sipas shkrimit të vet dhe secilit popull sipas gjuhës së vet, si edhe judenjve sipas shkrimit të vet dhe sipas gjuhës së vet. Letrat u shkruan në emër të mbretit Kserks, u vulosën me unazën e mbretit dhe u dërguan me anë të lajmëtarëve që kalëronin kuajt e mbretit, kuaj race. Kështu, mbreti i lejoi judenjtë në të gjitha qytetet të mblidheshin e të mbronin jetën e vet, të shkatërronin, të vrisnin e të rrënonin çdo ushtri armike të çdo populli apo krahine që do t'i sulmonte, me foshnja e me gra, si dhe t'i plaçkitnin e t'i grabitnin në një ditë të vetme të gjitha krahinat e mbretit Kserks, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji Adar. Një kopje e shkresës, që duhej paraqitur si ligj në çdo krahinë, iu dëftua të gjithë popujve, që judenjtë të ishin të gatshëm atë ditë për t'u hakmarrë me armiqtë. Lajmëtarët, që kalëronin kuajt mbretërorë, dolën me nxitim dhe rendën sipas urdhrit të mbretit. Ligji u shpall në kështjellën e Shushanit. Atëherë Mordakai u largua nga mbreti me veshje mbretërore vjollcë e të bardha, me kurorë të artë e të madhe e me një petk liri e purpuri. Qyteti i Shushanit brohoriti e u gëzua. Judenjtë u mbushën me dritë, gëzim, hare e nderim. Në çdo krahinë e në çdo qytet, kudo që arrinte urdhri i mbretit e ligji i tij, për judenjtë ishte gëzim e hare, gosti e ditë e lume. Shumë nga popujt e tokës u bënë judenj, se i kishte zënë frika nga judenjtë. Në muajin e dymbëdhjetë, domethënë në muajin Adar, më trembëdhjetë të atij muaji, kur do të zbatoheshin urdhri i mbretit dhe ligji i tij, ditën kur armiqtë e judenjve shpresonin të sundonin mbi ta, ndodhi e kundërta, judenjtë sunduan mbi urryesit e vet. Judenjtë u mblodhën në qytetet e veta, në të gjitha krahinat e mbretit Kserks, për të vënë dorë mbi ata që synonin t'u bënin ligësi. Askush nuk u bëri dot ballë, sepse të gjithë popujt kishin frikë prej tyre. Të gjithë krerët e krahinave, satrapët, qeveritarët e zbatuesit e punëve të mbretit i ndihmonin judenjtë, sepse i kishte zënë frika nga Mordakai. Mordakai ishte i rëndësishëm në shtëpinë e mbretit dhe për të dëgjohej në të gjitha krahinat. Mordakai u bë gjithnjë e më i rëndësishëm. Judenjtë i goditën të gjithë armiqtë, i shkuan në shpatë, i therën, i shfarosën e bënë çfarë deshën me urryesit e vet. Judenjtë vranë e shfarosën në kështjellën e Shushanit pesëqind burra. Vranë edhe Parshandatën, Dalfonin, Aspatën, Poratën, Adaljanë, Artidatanë, Parmashtanë, Arisajin, Aridajin, Vajzatain, dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamdatait, përndjekësit të judenjve, por nuk vunë dorë në plaçkë. Po atë ditë mbreti, në kështjellën e Shushanit, u njoftua për numrin e të vrarëve. Mbreti i tha mbretëreshës Ester: «Judenjtë kanë vrarë e shfarosur pesëqind burra, si dhe dhjetë djemtë e Hamanit në kështjellën e Shushanit. Po në krahinat e tjera të mbretit çfarë kanë bërë? Cila është kërkesa jote, se do të të plotësohet». Atëherë Estera tha: «Nëse i pëlqen mbretit, judenjtë që gjenden në Shushan, le të veprojnë edhe nesër sipas ligjit të sotëm e le të varen në shtyllë dhjetë bijtë e Hamanit». Mbreti urdhëroi të veprohej ashtu. Ligji u shpall në Shushan dhe dhjetë bijtë e Hamanit i varën. Judenjtë që gjendeshin në Shushan u mblodhën edhe në ditën e katërmbëdhjetë të muajit Adar e vranë treqind burra në Shushan, por në plaçkë nuk vunë dorë. Judenjtë e tjerë që gjendeshin në krahinat e mbretit, u mblodhën për t'u mbrojtur, u strehuan prej armiqve e vranë shtatëdhjetë e pesë mijë urryes të tyre, por në plaçkë nuk vunë dorë. Ishte dita e trembëdhjetë e muajit Adar. Ditën e katërmbëdhjetë pushuan dhe e caktuan ditë gostie e hareje. Judenjtë e Shushanit u mblodhën ditën e trembëdhjetë dhe ditën e katërmbëdhjetë, ndërsa më pesëmbëdhjetë pushuan dhe e caktuan ditë gostie e hareje. Për këtë arsye judenjtë e fshatrave, që jetojnë në qytete pa mure, e kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit Adar si ditë gëzimi, gostie e feste dhe shkëmbejnë dhurata me njëri-tjetrin. Mordakai i shkroi këto ndodhi dhe u dërgoi letra të gjithë judenjve, që gjendeshin në të gjitha krahinat e afërta e të largëta të mbretit Kserks, për t'i urdhëruar të mbanin vit pas viti ditën e katërmbëdhjetë e të pesëmbëdhjetë të muajit Adar, si ditë në të cilat judenjtë shpëtuan nga armiqtë dhe si muajin në të cilin pikëllimi i tyre u kthye në gëzim e zija në festë, që t'i mbanin si ditë gostie e hareje, ditë në të cilat ndajnë ushqimin me njëri-tjetrin e u japin dhurata të varfërve. Atëherë judenjtë e pranuan këtë që kishin filluar të bënin, siç u kishte shkruar Mordakai, se Hamani, biri i Hamdata Agagitit, përndjekësi i të gjithë judenjve, kishte menduar t'i shfaroste judenjtë dhe kishte hedhur Pur, domethënë short, për t'i pështjelluar e për t'i rrënuar, por, kur Estera ishte paraqitur para mbretit, ai kishte urdhëruar me shkrim që shestimi i lig i Hamanit kundër judenjve të kthehej e t'i binte kokës e që ai e bijtë e tij të vareshin në shtyllë. Për këtë arsye këto ditë quhen Purim, nga emri Pur. Për shkak të gjithë çfarë ishte shkruar në letër, për çfarë kishin përjetuar si rrjedhojë e kësaj e për gjërat që u kishin ndodhur, judenjtë vendosën dhe caktuan t'i mbanin këto dy ditë për vete, për pasardhësit e tyre e për të gjithë sa do të bashkoheshin me ta, pa e lënë pas dore mbajtjen e këtyre dy ditëve, siç kishin shkruar e caktuar, vit pas viti. Këto ditë kujtohen e kremtohen brez pas brezi, në çdo familje, krahinë e qytet. Judenjtë nuk duhet t'i harrojnë këto ditë Purimi. Kujtimi i tyre nuk do të shuhet ndër pasardhësit e tyre. Mbretëresha Ester, bija e Abihajlës, dhe judeu Mordakai shkruan me pushtet të plotë, për ta vënë në fuqi këtë letër të dytë në lidhje me Purimin. Letrat iu dërguan të gjithë judenjve në të njëqind e njëzet e shtatë krahinat e mbretërisë së Kserksit, me fjalë paqësore e të sinqerta, për t'i caktuar këto ditë Purimi në kohën e duhur, siç i kishin caktuar për ta judeu Mordakai dhe mbretëresha Ester dhe siç i kishin caktuar për vete e për pasardhësit e vet në lidhje me agjërimin e vajtimin. Urdhri i Esterës vendosi hollësitë në lidhje me Purimin. Ato u shkruan në një libër. Mbreti Kserks caktoi një tagër për tokën dhe për ishujt e detit. Të gjitha bëmat e fuqishme e të guximshme, si edhe rrëfimi i plotë i madhështisë së Mordakait, për të cilat mbreti e bëri të rëndësishëm, janë shkruar në librin e Kronikave të Mbretërve të Medës e të Persisë, sesi judeu Mordakai ishte i dyti pas mbretit Kserks, i rëndësishëm për judenjtë e i pëlqyer nga turma e vëllezërve të vet. Ai kërkonte mirëqenien për popullin e vet dhe paqen për pasardhësit e vet. Në dheun e Ucit jetonte një njeri me emrin Job. Ai ishte i përkryer e i drejtë, e druante Perëndinë dhe i kthente shpinën të keqes. Atij i kishin lindur shtatë djem e tri vajza. Kishte një pasuri prej shtatë mijë delesh, tre mijë devesh, pesëqind pendë qesh dhe pesëqind gomaricash. Kishte edhe shumë shërbëtorë. Ky ishte njeriu më i madh ndër të gjithë njerëzit e lindjes. Djemtë e tij shkonin me radhë në shtëpitë e njëri-tjetrit për të bërë festë. Ftonin edhe tri motrat për të ngrënë e për të pirë me ta. Pasi i kryenin ditët e festave, Jobi i thërriste për t'i shenjtëruar. Ai çohej herët në mëngjes dhe kushtonte fli shkrumbimi për të gjithë, sepse thoshte: «Ndoshta kanë mëkatuar bijtë e mi e kanë fyer Perëndinë në zemrat e tyre». Kështu vepronte Jobi gjithmonë. Një ditë bijtë e Perëndisë shkuan për t'u paraqitur para Zotit e bashkë me ta shkoi edhe Satani. Zoti e pyeti Satanin: «Nga po vjen?». Satani iu përgjigj Zotit: «Nga toka. Iu solla rrotull e i rashë kryq e tërthor». Zoti e pyeti: «A të ka rënë në sy shërbëtori im, Jobi? Askush mbi tokë nuk është si ai, njeri i përkryrer e i drejtë, që druan Perëndinë dhe i kthen shpinën të keqes». Por Satani iu përgjigj: «Mos vallë më kot e druan Jobi Perëndinë? A nuk e ke rrethuar me mburojë atë vetë, shtëpinë e tij dhe gjithçka ka? Ti e ke bekuar punën e duarve të tij dhe pasuria e tij mbi tokë është rritur. Provo e vër dorë mbi gjithçka ka, në s'ka për të të mallkuar haptas». Zoti i tha Satanit: «Ja, po të lë në dorë gjithçka ka, por atë vetë mos e prek me dorë!». Atëherë Satani u largua nga Zoti. Një ditë, kur bijtë dhe bijat e Jobit po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, erdhi te Jobi një lajmëtar e i tha: «Qetë po lëronin dhe gomaricat po kullotnin pranë tyre, kur iu vërsulën shabaitët e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Zjarri i Perëndisë ra nga qielli dhe dogji delet e përpiu shërbëtorët, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Kaldenjtë ngritën tri çeta, u lëshuan mbi devetë e i rrëmbyen. Ata i shkuan shërbëtorët në teh të shpatës, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Ndërsa ky po fliste, erdhi një tjetër e i tha: «Bijtë dhe bijat e tua po hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të madh, kur ia behu nga shkretëtira një stuhi e fortë, që u përplas mbi të katër qoshet e shtëpisë, e cila u shemb mbi të rinjtë. Ata vdiqën, por unë shpëtova, vetëm unë, për të të treguar». Atëherë Jobi u ngrit e shqeu petkat, rruajti kryet e ra përdhe, u përkul e tha: «Cullak dola nga barku i nënës, cullak atje do të kthehem. Zoti dha e Zoti mori. Bekuar qoftë emri i Zotit! ». Me gjithë çka i ndodhi, Jobi nuk mëkatoi e nuk ia vuri fajin Perëndisë. Një ditë bijtë e Perëndisë shkuan për t'u paraqitur para Zotit e bashkë me ta shkoi edhe Satani, për t'u paraqitur para Zotit. Zoti i tha Satanit: «Nga po vjen?». Satani iu përgjigj: «Nga toka. Iu solla rrotull e i rashë kryq e tërthor». Atëherë Zoti i tha: «A të ka rënë në sy shërbëtori im, Jobi? Askush mbi tokë nuk është si ai, njeri i përkryer e i drejtë, që e druan Perëndinë dhe i kthen shpinën të keqes. Ende është i përkryer, edhe pse ti më shtyve kundër tij, për ta rroposur më kot». Satani iu përgjigj: «Lëkurë për lëkurë! Njeriu jep gjithçka për të shpëtuar jetën. Vër dorë mbi kockat dhe mishin e tij, në s'ka për të të mallkuar haptas». Zoti i tha Satanit: «Ja, po ta lë në dorë, por jetën kurseja!». Atëherë Satani u largua nga Zoti. Satani e goditi Jobin me çibanë të këqij që nga shputat e këmbëve deri në majë të kresë. Jobi mori një copë tjegull për t'u kruar dhe u ul në mes të hirit. Atëherë e shoqja i tha: «Prapë mbetesh i patëmetë? Mallko Perëndinë e vdis!». Por ai iu përgjigj: «Ti po flet siç flet një e marrë. Të mirën e pranojmë nga Perëndia, po të keqen, mos ta pranojmë?». Me të gjitha këto, Jobi nuk mëkatoi me buzët e veta. Tre miq të Jobit dëgjuan për tërë këtë kob që i kishte rënë dhe erdhën secili nga vendi i vet: Elifaz Temaniti, Bildad Shuhiti e Cofar Namatiti. U mblodhën për të shkuar tek ai së bashku, për t'i ndenjur pranë e për ta ngushëlluar. E panë prej së largu, por nuk e njohën. Atëherë qanë me të madhe dhe secili i shqeu petkat e veta. Hodhën pluhur përpjetë e u ra mbi kokë. Pastaj u ulën përtokë bashkë me të për shtatë ditë e shtatë net e nuk i thanë asnjë fjalë, sepse e panë sa e madhe ishte dhimbja e tij. Pas këtyre ngjarjeve Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën kur kishte lindur. Jobi u përgjigj e tha: «U shoftë dita kur u linda e nata kur u tha: “U ngjiz një djalë”. Terr u bëftë ajo ditë! E harroftë Perëndia, që rri lart, e drita mos ndrittë mbi të! E përlaftë terri e pisa, e zaptoftë reja, e tmerroftë muzgu! Atë natë e përpiftë errësira, mos u njehtë ndër ditët e vitit e mos hyftë në numrin e muajve! Shterpë mbettë ajo natë e mos pastë galdim! E nëmtë kush mallkon ditën e kush guxon të ngucë Leviatanin! U terratisshin yjet e agut të saj, prittë dritën e mos i ardhtë e as agun mos e paftë, se s'm'ia mbylli barkun nënës, e brengën s'ma hoqi sysh. Pse s'vdiqa që në bark e s'dhashë shpirt sa linda? Pse më pritën dy gjunjë e më mëkuan dy gjinj? Tani do të prehesha i qetë, do të flija e do të pushoja me mbretër e këshilltarë të dheut, që rindërtojnë për vete rrënoja, apo me princa që kanë ar, që i kanë shtëpitë plot me argjend. Ose, si i dështuari i zhdukur, s'do të isha më, si foshnjat që s'e shohin dritën. Atje të paudhët i lënë trazirat, atje të mekurit pushojnë. Të burgosurit pushojnë tok, pa e dëgjuar zërin e ngasësit. Atje janë i vogli e i madhi, skllavi është i lirë nga pronari. Pse të dalë në dritë një i ngratë e të jetojnë shpirtvrarët, që vdekjen dëshirojnë, por s'e gjejnë, edhe pse e kërkojnë më shumë se thesarin, dhe fort gëzohen e galdojnë kur gjejnë varrin? Po njeriu, që i ka udhët pa krye, se ia ka mbyllur Perëndia? Ja, për bukë kam psherëtimat e britmat e mia vërshojnë si ujë. Më zuri çfarë më tmerronte, çfarë më lemeriste më pllakosi. As kam qetësi, as prehje, as pushim, por erdhi pështjellimi». Atëherë Elifaz Temaniti u përgjigj e tha: «A mund të flitet me ty, apo s'ke durim? Po kush mund të rrijë pa folur? Ja, shumë veta ke mësuar e duart e mekura ke përtërirë. Fjalët e tua kanë ringritur të rrëzuarit e gjunjëprerët ke mëkëmbur. Tani e ke radhën ti e nuk duron, të ra ty e u trullose. A nuk ke besim te droja e Perëndisë e shpresë te sjellja e përsosur? Thirri mendjes, cili i pafajshëm u rrënua? Ku është ai i drejtë që u shkatërrua? Me sa kam parë unë, kush mih ligësi e mbjell prapësi, ato edhe korr. Ata i rrënon puhiza e Perëndisë, i fundos fryma e zemërimit të tij. Ulërin luani, bërtet egërsira e dhëmbët e këlyshit bëhen copë. Luani ngordh se s'ka pre e shpërndahen këlyshët e tij. Tinëz më erdhi fjala, pëshpërima e saj më ra në vesh. Në trazimin e vegimeve të natës kur njerëzinë e zë gjumë i thellë, më zuri tmerri e drithërima, edhe eshtrat m'u drodhën. Një frymë ma përshkoi fytyrën e m'u ngritën qimet përpjetë. U ndal, por s'ia njoha pamjen: një trajtë para syve të mi. Heshtje. Pastaj një zë dëgjova: “A ka vdekatar të drejtë para Perëndisë? A ka njeri të pastër para krijuesit të vet?”. As shërbëtorëve s'u zë besë, edhe engjëjve ua gjen një të metë. Aq më shumë banorëve të qerpiçëve, që i kanë themelet në pluhur e shkelen porsi tenja. Shkërmoqen sa gdhin e ngryset. Papandehur, zhduken përgjithmonë. U këputet filli e vdesin pa urti». «Thirr, pra! A ka kush të përgjigjet? Kujt do t'i drejtohesh, ndër të shenjtë? Të marrin e ther mëria e të pamendin smira e vret. Pashë tek zinte rrënjë i marri, por fill ia mallkova banesën. Bijtë e tij nuk kanë shpëtim, i shkelin para të gjithëve e s'ka kush i liron. Të korrat ia ha i urituri, edhe në dhënçin ferra. Të babëziturit ia rrëmbejnë katandinë. Jo, lëngata nuk mbin nga pluhuri, e as pikëllimi nuk mbin prej dheut, por për t'u pikëlluar ka lindur njeriu, sikurse shkëndijat për të fluturuar lart. Por unë do të kërkoja Perëndinë e Perëndisë do t'ia shtroja çështjen. Ai bën vepra madhështore e të pashqyrtueshme, bën mrekulli të panumërueshme. Ai e hedh shiun mbi dhe e ujin e lëshon mbi ara. Ai i lartëson të përulurit e vajtorët i ngre të sigurt. I zhbën shestimet e tinëzarëve e duart e tyre nuk sjellin mbarësi. I zë të urtët në tinëzinë e tyre e synimet e dinakëve shemben shpejt. Gjatë ditës hasin në errësirë, në mesditë kuturisin si nëpër natë. Por ai e shpëton nevojtarin nga shpata e gojës së tyre e nga dora e të fortëve. Ka shpresë për të vobektin, padrejtësisë i mbyllet goja. Pra, lum njeriu, që Perëndia e qorton! Mos e përçmo mësimin e të gjithëpushtetshmit, se ai lëndon, por e lidh plagën, godet, por me dorën e vet shëron. Të liron nga gjashtë mundime dhe lëngata e shtatë nuk do të të bjerë. Kur të bjerë zija e bukës, të shpëton nga vdekja e nga tehu i shpatës në betejë. Do të strehohesh nga fshikullimi i gjuhës e, në ardhtë rrënimi, nuk do të druash. Do të tallesh me shkretimin e me urinë, nuk do të trembesh nga egërsirat e dheut. Do të lidhësh besë me gurët e arës dhe egërsirat paqe do të kenë me ty. Do ta shohësh se tenda jote është e sigurt, do të qëmtosh pronën e asgjë s'do të mungojë. Do ta shikosh si do të të shtohet fara e pinjojtë e tu si bari i dheut. Do të hysh në varr i mbajtur e i fortë, si kalliri i pjekur në kohën e vet. Ja, këtë gjë e hetuam dhe ashtu është. Dëgjoje, që ta dish për vete». Atëherë Jobi u përgjigj e tha: «Po të peshohet krusma ime e të matet mjerimi im, rëndojnë më shumë se rëra e detit, prandaj po ngutem e po flas. I gjithëpushtetshmi m'i ka ngulur shigjetat, helmin ua thëthin shpirti im e tmerret e Perëndisë më janë kundërvënë. A pall gomari kur ka bar? A pëllet lopa kur ka tagji? A hahet gjella pa kripë e pa shije? A ka shije lëngu i bordullakut? Gjërat që nuk i prekja dot janë bërë gjella ime e neveritshme. U pranoftë kërkesa ime e Perëndia më dhëntë çfarë shpresoj! Dashtë Perëndia e më shtyptë, zgjattë dorën e më zhbiftë! Le të jetë ky ngushëllimi im dhe do të galdoj në dhimbjen time, se nuk i mohova fjalët e të Shenjtit. Me çfarë force do të pres dhe pse duhet të duroj? Vallë, si guri jam i fortë? Prej bronzi është mishi im? As veten s'e ndihmoj dot dhe prej meje ka ikur e mbara. Mikut nuk i mohohet besnikëria, edhe kur s'e ka më drojën e të gjithëpushtetshmit. Shokët janë të pabesë si vau, si përrenjtë që vërshojnë në zall. Shkrihen akujt e turbullohen, fryhen, kur shkrihet bora. Kur është nxehtë, avullojnë, kur vjen vapa, thahet zalli. Varganet ngatërrojnë udhën, marrin shkretëtirën e birren. Varganet e Temait i kërkojnë, udhëtarët e Shebës shpresojnë t'i gjejnë. Zhgënjehen, sepse shpresonin, mbërrijnë aty e pështjellohen. Kështu jeni edhe ju për mua, e patë zezonën dhe u tmerruat. A mos ju thashë të më jepnit gjë, të më shpërblenit me pasurinë tuaj? Apo të më lironit nga dora e armikut, të më shpaguanit nga dora e të pashpirtit? Mësomëni e do të hesht, tregomëni ku kam gabuar. Sa të rënda janë fjalët e drejta! Por, qortimet tuaja, çfarë qortojnë? A synoni t'i qortoni fjalët e mia? A i merr era fjalët e të pashpresit? Edhe mbi jetimin do të hidhnit short e mikun do ta shisnit. Prandaj, kthehuni kah unë, ju lutem, se nuk do t'ju gënjej sy më sy. Pendohuni, që të mos bëhet padrejtësi! Pendohuni, se unë kam të drejtë. A paska padrejtësi në gjuhën time? A s'e dalluaka ligësinë qiellza ime?». «A s'është mundim jeta e njeriut mbi dhe e ditët e tij si ditët e rrogëtarit? Siç digjet skllavi për mriz e siç pret rrogëtari shpërblimin, ashtu më ranë mua muaj zbrazëtie dhe m'u caktuan net mjerimi. Nëse shtrihem, them: “Kur do të ngrihem?”, por mbrëmja është e gjatë e unë përpëlitem gjer në ag. Trupin ma mbuluan krimbat e pluhuri, kore e plasaritur më është bërë lëkura. Ditët më ikin më shpejt se vegja e endësit dhe sosen ku soset shpresa. Mos harro se një frymë është jeta ime, sytë e mi nuk do ta shohin më të mirën. Syri që do të më shohë, nuk do të më dallojë, kur të m'i hedhësh sytë, nuk do të jem më. Siç davaritet e kalon reja, ashtu nuk ngjitet më kush zbret në skëterrë. Nuk kthehet më në shtëpi, as ka për ta njohur më vendi i tij. Prandaj nuk do ta mbaj gojën, do të flas me shpirt të brengosur, do të ankohem me hidhërim në zemër. A jam unë det, apo përbindësh, që vure rojë përmbi mua? Kur them: “Shtrati do të më lehtësojë, shtroja do të ma zbusë ankimin”, atëherë ti më tremb me ëndrra e më tmerron me vegime. Më mirë të ma marrësh frymën, më mirë të vdes, se të më mbesin veç eshtrat. Jam mekur, nuk do të jetoj përgjithmonë. Më lër, sepse si fryma janë ditët e mia. Ç'është njeriu që ta madhërosh, që ta mbash mendjen tek ai, ta vëzhgosh çdo mëngjes e çdo çast ta vësh në sprovë? Kur do t'i heqësh sytë prej meje? Nuk më lë vetëm as të gëlltis pështymën. Nëse mëkatova, ç'të bëra ty, o rojtar i njerëzimit? Pse më vure në shënjestër e u bëra i rëndë edhe për vete? Pse nuk ma shlyen fajin e nuk ma harron ligësinë, se tani do të shtrihem në pluhur, do të më kërkosh e nuk do të më gjesh?». Atëherë Bildad Shuhiti u përgjigj e tha: «Deri kur do të flasësh kështu e do të fryjnë furishëm fjalët e gojës sate? A e shtrembëron Perëndia të drejtën? A e shtrembëron i gjithëpushtetshmi drejtësinë? Nëse bijtë e tu mëkatuan kundër tij, ai i la në dorë të paudhësisë së tyre. Nëse ti e kërkon Perëndinë e i përgjërohesh të gjithëpushtetshmit, po të jesh i pastër e i drejtë, ai menjëherë do të kujdeset për ty e do ta paqëtojë banesën tënde të drejtë. Çfarë pate në fillim ishte pak, në fund do të kesh më shumë. Shqyrto breznitë e dikurshme e mendo arritjet e të parëve të tyre. Sa për ne, ne i përkasim së djeshmes e nuk dimë gjë, se ditët tona hije janë mbi dhe. A nuk do të të mësojnë ata ty? Për ty prej zemrës do të nxjerrin kumte. A nuk rritet kallami në moçal? A zgjatet kallami pa ujë? Ende i gjelbër e pa u prerë vyshket para çdo bime tjetër. Kësisoj janë shtigjet e atij që harron Perëndinë e shpresa e të pafeut do të shuhet. Besimi i tij pe i hollë, rrjetë merimange mbështetja e tij. Nëse mbështetet në shtëpinë e vet, ajo s'do të mbajë, nëse kapet pas saj, ajo shembet. Ai është bimë e harlisur në diell që i shtrin filizat në kopsht. Në zall i enden rrënjët, nëpër gurë depërton. Nëse shkulet nga vendi i vet, vendi do ta mohojë: “Kurrë nuk të kam parë!”. Ja, kaq zgjat gëzimi i tij e prej pluhurit të tjerë do të mbijnë. Shiko! Perëndia nuk e përbuz njeriun e përkryer, as të mbrapshtëve dorën nuk ua shtrin. Ai do të ta kthejë buzagazin e plotë e do të ta mbushë gojën me britma hareje. Atë që të urren do ta mbulojë turpi e banesa e të mbrapshtëve nuk do të qëndrojë». Jobi u përgjigj e tha: «Vërtet e di se ashtu është, por si mund të jetë i drejtë njeriu para Perëndisë? Nëse dikush rragatet me të, s'mund t'i përgjigjet as një herë në një mijë. Ai është zemërurtë e fuqimadh. Kush i bëri ballë e doli i pamposhtur? Ai i shpërngul malet, por ato s'e dinë, kur i shkundullon i zemëruar. Ai e trand tokën nga vendi e dridhen shtyllat e saj. E urdhëron diellin e ai nuk lind, edhe yjeve drynin ua vë. I vetëm i shpalos qiejt e mbi dallgët e detit hapat i hedh. Ai krijoi Arushën e Orionin, Shenjëzat e Dhomat e Jugut. Bëri vepra madhështore e të paqëmtueshme, bëri mrekulli të panumërueshme. Kalon para meje e nuk e shoh, ikën tutje e nuk e vërej. Rrëmben diçka e kush mund ta kthejë? Kush mund t'i thotë: “Çfarë po bën?”. Perëndia nuk e tërheq zemërimin, poshtë tij tulaten ndihmësit e Rahabit. Si vallë mund t'i përgjigjem e me ç'fjalë t'i flas atij? Edhe po të jem i drejtë s'i përgjigjem dot, gjykatësit tim për përdëllim i lutem. Nëse e thërras e më përgjigjet, nuk besoj se do t'i vërë vesh zërit tim. Ai më shtyp për një fije floku m'i shumon plagët pa shkak. Nuk më lë të marr frymë, se më ngop me hidhërim. Sa për forcë, ai është i fuqishmi, sa për drejtësi, kush mund ta padisë? Edhe pse kam të drejtë, goja ime do të më dënojë; nëse jam i përkryer, ai do të më nxjerrë fajtor. Jam i përkryer, por nuk kujdesem për vete, e përçmoj jetën time. Prandaj them se është njësoj: ai rrënon të përkryerin e të paudhin. Nëse fshikullimi vret papritmas, ai e qesëndis dëshpërimin e të pafajshmit. Toka i është lënë në dorë të paudhit, ai ua mbyll sytë gjykatësve të saj e nëse jo ai, kush vallë? Ditët e mia shkojnë më shpejt se rendësi, ikin tutje pa e parë të mirën. Rrëshqasin si varka xunkthi, si shkaba që vërsulet mbi pre. Nëse them: “Do ta harroj rënkimin, nuk do të jem fytyrëngrysur e do të gëzohem”, më trembin tërë vuajtjet e mia. E di se nuk do të më shfajësosh. Nëse jam fajtor, pse të mundohem kot? Nëse lahem me ujë bore e duart i pastroj me finjë, ti prapë do të më zhytësh në llucë e do t'u kall krupën edhe petkave. Se ai nuk është njeri si unë, që t'i përgjigjem: “Të dalim në gjyq”. Nuk ka gjyqtar mes ne të dyve që të vërë dorë mbi ne, ta heqë prej meje shkopin e tij e të mos më trembë tmerri i tij. Do të flas e nuk do t'i trembem, se i tillë unë nuk jam». «Më është velur jeta! Do ta shfryj ankimin tim, do të flas me shpirt të hidhëruar. Do t'i them Perëndisë: mos më ndëshko! Më trego pse po më gjykon! Të duket mirë të më shtypësh, të përbuzësh punën e duarve të tua e të përkrahësh synimet e të paudhëve? Mos vallë ke sy prej mishi e sheh siç shohin njerëzit? A janë ditët e tua si ditët e njerëzve e vitet e tua si moti i vdekatarëve, që heton fajin tim e shqyrton mëkatin tim, edhe pse e di se nuk kam faj e s'ka shpëtim prej dorës sate? Duart e tua më bënë e më krijuan, por ti më rrënon nga të gjitha anët. Kujtohu, pra, se si baltën më punove. A do të më kthesh sërish në pluhur? A nuk më pikove si qumështin e nuk më zure si djathin? Ti më veshe me lëkurë e me mish, ti më thure me eshtra e me deje. Më dhurove jetën e mirësinë, kujdesi yt ma ka ruajtur shpirtin. Por këto i fshihje në zemër, e di se kështu mendoje. Nëse mëkatoj, më shikon e nuk rri pa e ndëshkuar fajin tim. Nëse jam i paudhë, mjerë unë! Por edhe po të jem i drejtë, nuk e ngre dot kokën, se më mbuloi turpi e shoh veç pikëllim. Po ta ngre kokën, më mësyn si luan, kthehesh e kryen çudira kundër meje. Nxjerr para meje dëshmitarë të rinj, e shton zemërimin tënd me mua, i përtërin ushtritë kundër meje. Po përse më nxore nga barku i nënës? Të kisha vdekur pa më parë kush me sy! Do të kisha qenë si të mos isha, i bartur nga barku në varr. A nuk firojnë ditët e jetës sime? Më lër të gëzoj pak, para se të nisem për të mos u kthyer në dheun e territ e të terratisjes, në dheun e errësirës së thellë e të rrëmujës, ku edhe agu është si zymtësia». Cofar Namatiti u përgjigj e tha: «A nuk e meriton një përgjigje fjalëshumi? A e shfajëson dot veten gojëtari? Përçartjet e tua a do t'ua mbyllin gojën njerëzve? Kur ti përqesh askush nuk të korit? Ti thua: “Fjalët e mia janë të pastra, jam i dëlirë në sytë tuaj”. Por, ah, sikur Perëndia të flasë e të hapë gojën me ty, të të tregojë fshehtësitë e urtisë, që e tejkalon mençurinë, e ta kuptosh se Perëndia ta harron fajin. A mund t'i gjurmosh vallë thellësitë e Perëndisë? A mund t'ia nxjerrësh fundin të gjithëpushtetshmit? Është më i lartë se qielli, çfarë do të bësh? Më i thellë se skëterra, çfarë do të dish? E ka masën më të gjatë se toka e më të gjerë se deti. Nëse kalon, ndal dikë e i bën gjyq, kush mund ta kthejë? Se ai i njeh shtiracakët e, kur të shohë ligësinë, a nuk do ta pikasë? Por tutkuni bëhet i mençur, kur gomari të bëhet njeri. Po ta kthesh zemrën kah Perëndia, e t'i shtrish duart drejt tij, po ta flakësh ligësinë që ke në dorë e po të mos selitë padrejtësia në shtëpinë tënde, atëherë do ta mbash ballin lart, do të qëndrosh fort e frikë nuk do të kesh, do ta harrosh mundimin, do ta kujtosh si ujërat që shkuan. Jeta jote do të shkëlqejë më shumë se mesdita dhe errësira do të jetë si agimi. Do të kesh besim, sepse ka shpresë, do të jesh i mbrojtur e do të pushosh i qetë. Do të shtrihesh e askush nuk do të të trembë, shumëkush ndihmë do të të kërkojë. Por sytë e të paudhëve do të çarten e do të tretet prej tyre rrugëdalja, ndaj do të shpresojnë të japin shpirt». Jobi u përgjigj e tha: «Vërtet ju jeni njerëzia e me ju do të vdesë urtia, por edhe unë kam mend si ju e nuk jam më pak se ju. Kush nuk i ditka këto gjëra? U bëra shpotia e shokëve të mi, unë që i thërras Perëndisë të më përgjigjet. Shpoti jam unë, i drejti e i përkryeri. “Përçmim për të pafatin!”, mendon kush është mirë “shtymën këmbëzvarrit!”. Banesat e rrënimtarëve janë të qeta, është i sigurt kush cyt Perëndinë, kush e ka Perëndinë në dorë. Pyeti kafshët e ato të mësojnë, edhe zogjtë e qiellit e ata të tregojnë. Ose ankoju tokës e ajo të mëson, edhe peshqve të detit e ata të rrëfejnë. Kush nga gjithë këta s'e di se i bëri dora e Zotit? Se ai ka në dorë frymën e çdo gjallese dhe shpirtin e çdo njeriu prej mishi. A nuk i dallon veshi fjalët, siç shijon qiellza gjellën? A s'është urtia me pleqtë e dija me jetëgjatët? Me Perëndinë është urtia e fuqia, atij i takon këshilla e mençuria. Ja, ai shemb e askush nuk ndërton dot, ndryn në burg e askush nuk mund të hapë. Ja, ai e ndal ujin e thahen të gjitha, e lë të vërshojë e toka rroposet. Me të është forca e mençuria, ai ka në dorë të mashtruarin e mashtruesin. Zbathur i nis këshilltarët e tallet me gjykatësit. Ua zgjesh brezin mbretërve e ijët ua lidh me lak. I nis priftërinjtë zbathur e i përmbys sunduesit. Ua heq fjalën gojëtarëve dhe pleqve u heq gjykimin. Zbraz përçmim mbi prijësit, ua liron rripin të fortëve. Shpërfaq thellësitë e errësirës e nxjerr në dritë terrinën. Kombet i madhëron e i asgjëson, i shpërndan kombet e u prin. Ua merr mendtë prijësve të dheut, i end në shkretëtirën pa udhë. Kuturisen në terr pa dritë dhe sillen si të dehur». «Ja, gjithçka pa syri im veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi. Çfarë dini ju e di edhe unë e nuk jam më pak se ju. Por unë dua të flas me të gjithëpushtetshmin, me Perëndinë ma ka ënda të rragatem. Sa për ju, ju e shihni mashtrimin, mjekë të padobishëm jeni të gjithë. Kush do t'ju bëjë të heshtni? Do të ishte urti për ju. Dëgjojeni, pra, arsyetimin tim, vërejeni vetëmbrojtjen e buzëve të mia. A do të flisnit rrejshëm për Perëndinë e do të mashtronit për të? A doni t'i mbani anë Perëndisë e të arsyetoni për të? Vallë, do të dilni mirë nëse ju shqyrton? Apo do ta mashtroni, siç mashtrohet njeriu? Ashpër do t'ju qortojë nëse tinëz mbani anë. A nuk do t'ju tmerrojë madhështia e tij? S'do të bjerë mbi ju tmerri i tij? Hi e pluhur janë thëniet tuaja të urta, mburojë balte mburojat tuaja. Heshtni, që të flas vetë, e le të më ndodhë ç'të dojë. Pse të ha veten me dhëmbë e të vë dorë në jetën time? Ja, ai do të më vrasë e shpresë nuk kam, por para tij do ta mbroj sjelljen time. Ky do të jetë shpëtimi im, se i pafeu nuk del para tij. Dëgjojeni mirë fjalën time e vërini vesh shpjegimit tim. Ja, jam gati për gjykim, se e di se jam i drejtë. Kush është ai që do të kapet me mua, se jam gati të hesht e të vdes. Vetëm dy gjëra bëj e nuk do të fshihem prej teje: largo dorën tënde prej meje e mos më tremb me tmerrin tënd. Atëherë më pyet e unë do të përgjigjem, ose flas unë e ti m'u përgjigj. Sa faje e mëkate kam? Ma trego shkeljen e mëkatin tim. Përse e fsheh fytyrën tënde e më mban për armik? A do ta tmerrosh gjethen që mbart era? A do ta ndjekësh pas bykun e thatë? Se ti shkruan hidhur për mua e më ngarkon me fajet e rinisë. Ti më vë prangat në këmbë, mbikëqyr tërë udhët e mia e gjurmët e këmbëve m'i heton. Si kalbësirë mbaron njeriu, si petku që e bren tenja». «Njeriu i lindur prej gruas e ka jetën të shkurtër e plot trazime. Çel si lulja e vyshket, ikën si hija e nuk zë vend. A i hedh ti sytë kah një i tillë? E mua më thërret në gjyq? Kush mund të nxjerrë dëlirësi nga ndotja? Askush! Nëse ditët e njeriut janë të numëruara e ti e di numrin e muajve të tij, nëse ia ke vënë cakun e ai s'e kalon dot, hiqi sytë prej tij e lëre të qetë ta sosë i gëzuar ditën si mëditës. Se edhe pema e ka një shpresë, nëse e presin, do të bulojë sërish e filizat e saj nuk do të thahen. Edhe pse rrënjët i plaken nën dhe e trungu i kalbet në pluhur, ndien ujin e bulon, nxjerr filiza si fidan. Por njeriu vdes e bie përdhe, jep shpirt njerëzia e ku është pastaj? Uji i detit avullon e lumi mund të thahet. Njeriu që dergjet nuk ringrihet më, pa kaluar qiejt më nuk do të zgjohet, as do t'i dalë më gjumi. Ah, sikur të më fshihje në skëterrë, sikur të më ndryje derisa të të ikë zemërimi e të më caktoje kohën për të më kujtuar! Nëse njeriu vdes, a mund të jetojë? Do të prisja sado të zgjasë mundimi im, derisa të vijë lirimi. Ti do të më thërrisje e unë do të të përgjigjesha, do të kishe mall për veprën e duarve të tua. Ndonëse tani i numëron hapat e mi, nuk do t'i vëreje mëkatet e mia. Mosbindja ime do të ndryhej në thes e ti do ta mbuloje fajin tim. Por, ja, mali shembet e shkërmoqet e shkëmbi luan vendit, uji i rrëmben gurët, vërshimi e gërryen dheun e ti i shuan shpresën njeriut. Ti e godet e ai ikën përgjithmonë, e shpërfytyron dhe tej e dëbon. Bijtë e tij nderohen, por ai s'e di, përçmohen, por atij s'ia merr mendja. Ai veç vuan në trupin e vet e rënkon për veten e vet». Elifaz Temaniti u përgjigj e tha: «A përgjigjet i urti me fjalë që i merr era? A e mbush barkun me erën e lindjes? A mbrohet me fjalë të kota e me shprehje pa dobi? Por ti po e çart drojen, po shpërfill lutjen para Perëndisë, se faji yt e mëson gojën tënde e ti zgjedh gjuhën e dinakëve. Goja jote të dënon e jo unë, buzët e tua dëshmojnë kundër teje. A je ti njeriu i parë që u lind? A para kodrave u përftove? Mos ke përgjuar shestimet e Perëndisë dhe e mban urtinë për vete? Çfarë di ti, që ne s'e dimë? Çfarë kupton ti, që ne s'e marrim vesh? Ka ndër ne të thinjur e pleq, më të moçëm se yt atë. A pak janë për ty ngushëllimet e Perëndisë e fjala e butë që të drejtohet? Pse të gulçon zemra e të flakërojnë sytë, kur kthehesh kundër Perëndisë e fjalët nga goja të rrjedhin? Çfarë është njeriu që të jetë i pastër? A është i drejtë kush lindi prej gruaje? Perëndia s'beson as te shenjtorët e vet e para tij as qielli s'është i pastër, pale njeriu i pështirë e i çartur, që e pi ligësinë si ujë. Ta shpjegoj unë, më dëgjo! Do të të tregoj ç'kam parë, çfarë rrëfyen të urtët, që të parët e tyre nuk ua fshehën. Vetëm atyre u qe dhënë toka e asnjë i huaj nuk kaloi mes tyre. Keqbërësin e kaplon ankthi përditë e mujshari i ka vitet të numëruara. Klithma e tmerrit i gjëmon në veshë e kur është i qetë e sulmon kusari. Ai nuk shpreson se mund të dalë nga terri dhe e di se shpata e pret. Bredh e kërkon bukë: “Ku ka?”, por e di se i erdhi dita e zezë. Ankthi e mundimi e tmerrojnë dhe e mposhtin, si mbreti i gatshëm për sulm. Ngre dorë kundër Perëndisë, krekoset kundër të gjithëpushtetshmit, sulet kundër tij kryeneç, i mbrojtur me shqyt të trashë, me fytyrë të majme e me dhjamë në ijë. Banonte në qytetin plojë, në shtëpi të shkretuara, kthyer në rrënoja. Nuk do të pasurohet e nuk do t'i zgjasë fati, as do të zërë rrënjë në dhe. Nuk do t'i shpëtojë errësirës, sythat zjarri do t'ia thajë e lulet era do t'ia marrë. Të mos i zërë besë kotësisë e të mos gënjehet, se me kotësi do të shpërblehet. Pa i ardhur dita do të vyshket e nuk do të harliset dega e tij. Do të shkundet si hardhia para se të piqet rrushi, e si ulliri në lule do të harret. Shoqëria e të pafeve është shterpë dhe shtëpinë e mitëmarrësit zjarri e përlan. Kush ngjiz trazirë, pjell ligësi e në barkun e tyre gatitet mashtrimi». Jobi u përgjigj e tha: «Shumë fjalë të tilla kam dëgjuar. Ju të gjithë jeni ngushëllues të mjerë. A marrin fund fjalët që i merr era apo çfarë të ngacmon të përgjigjesh? Edhe unë do të flisja si ju, po të ishit ju në vendin tim. Do të thurja fjalë kundër jush e para jush do ta tundja kokën. Do t'ju forcoja me fjalë e me buzët e mia do ta ndalja brengën. Po të flas, nuk më fashitet dhimbja, por as po të hesht nuk më largohet. Mirëpo ai më këputi, më la pa shoqëri. Ti më sfilite e kjo është dëshmia, edhe krusma ime kundër meje dëshmon. Me zemërimin e vet më copëton e më përndjek, dhëmbët kundër meje i kërcëllin, armiku im gërdhuc sytë kundër meje. E kanë hapur gojën kundër meje, më tallin e me gjuajnë në fytyrë, kundër meje janë mbledhur tok. Perëndia më la në dorë të çunakëve, në duart e të paudhëve më hodhi. Isha mirë, por ai më copëtoi, më kapi për zverku e më rroposi, më vuri në shënjestrën e vet. Më rrethuan shigjetat e tij, pa mëshirë veshkat m'i shqeu, përtokë ma derdhi vrerin. Më shporon me plagë pas plage e më vërsulet si luftëtar. E kam qepur grathoren për lëkure, e kam zhytur ballin në pluhur. M'u mavijos fytyra nga vajtimi e terri m'i mbuloi qepallat, ndonëse duart e mia nuk bënë dhunë dhe e dëlirë është lutja ime. Mos e mbulo, o tokë, gjakun tim e mos zëntë vend britma ime! E kam që tash në qiell dëshmitarin, është atje lart ai që më del zot. Miqtë më shpotisin e syri im derdh lot drejt Perëndisë, që ai të gjykojë mes njeriut e Perëndisë siç gjykon njeriu me njeriun, se i kam të numëruara vitet e udhës pa kthim po shkoj». «Po më zihet fryma, po më shuhen ditët e varri po më pret. A nuk më rrethojnë shpotitësit? Sytë m'i kanë zënë trazuesit. Bëhu, pra, dorëzanë për mua! Kush tjetër do të ma japë dorën? Meqë ua more mendjen, nuk do t'i lësh të ngadhënjejnë. Kush kallëzon miqtë dhe ndan bukën me miqtë u zë sytë fëmijëve. Ai më bëri përrallë para njerëzve e për t'u pështyrë në fytyrë jam bërë. Sytë më janë errur nga dhimbja e gjymtyrët m'u bënë të gjitha si hije. Të drejtët çuditen për këtë e i pafajshmi zemërohet kundër të pafeut. Por i drejti qëndron në udhën e tij e kush ka duar të pastra bëhet më i fortë. Ejani prapë ju të gjithë e nuk do të gjej ndër ju asnjë të urtë. Kaluan ditët e mia, u zvordhën shestimet e mia, ëndjet e zemrës sime. Ata e bëjnë natën ditë e thonë se errësira i afrohet dritës. S'kam tjetër shpresë, veç të banoj në skëterrë, në errësirë ta vë shtrojën time. Varrit i thashë: “Im atë je ti” e krimbave: “Ju jeni nëna e motrat e mia”. Ku është, pra, shpresa ime? Kush mund ta shohë shpresën time? A do të zbresë me mua në skëterrë e bashkë në pluhur do të zhytemi?». Bildad Shuhiti u përgjigj e tha: «Kur do t'ua nxirrni fundin fjalëve? Mendohuni mirë e pastaj do të flasim. Pse të dukemi si bagëti e qenkemi të pamend? Ti po gërryen veten me zemërimin tënd, por a u shkretuaka dheu e luajtkan shkëmbinjtë për shkakun tënd? Po, të paudhit do t'i shuhet drita e flaka nuk do të shndrisë në vatër të tij. Në tendën e tij do të errësohet drita e pishtari mbi të do të shuhet. Hapi i tij i vendosur do të luhatet e do të bjerë në kurthin e vet. Këmbët do t'i zihen në rrjetë e do të endet i lidhur për laku. Do të bjerë me këmbë në kurth e nyja do ta shtrëngojë. Nën dhe është fshehur laku i tij e gracka e tij në shteg. Tmerri e zë ngado të sillet, hap pas hapi e gjëmon. Uria do t'ia mekë fuqinë e mjerimi i rri në pritë. Brejtja do t'ia brejë lëkurën e gjymtyrët do t'ia hajë kryevdekja. Do të nxirret nga banesa e tij e sigurt e do të zvarritet para mbretit të llahtarshëm. Banon në banesën e tij çka s'është e tij, e prona e tij do të spërkatet me sulfur. Rrënjët e tij do të kalben nga poshtë, nga sipër do të thahen degët e tij. Kujtimi i tij do të shuhet e nuk do të dëgjohet në rrugë emri i tij. Do ta plandosin nga drita në terr e nga kjo botë do ta dëbojnë. As fëmijë, as pasardhës nuk do të lërë në popull, nuk do të mbesë njeri në shtëpinë e tij. Kur t'i vijë dita, do të tmerrohet perëndimi e lindjen do ta zërë drithërima. Ky, pra, është fundi i të ligut, këtu e ka vendin kush s'njeh Perëndinë». Jobi u përgjigj e tha: «Deri kur do të ma lodhni shpirtin e do të më shtypni me fjalime? U bënë dhjetë herë që po më shani, a s'ju vjen turp të më poshtëroni? Edhe po të kem gabuar vërtet, mua më mbetet gabimi. A vërtet mendoni se do të ngriheni mbi mua duke më përmendur mjerimin? Duhet ta dini, pra, se Perëndia më bëri padrejtësi e më rrethoi me rrjetën e vet. Ja, thërras: “Dhunë!”, por nuk marr përgjigje, kërkoj ndihmë, por nuk ka drejtësi. Ma ka mbyllur rrugën, që të mos kaloj e m'i ka zhytur shtigjet në terr. Ai më zhveshi nga lavdia, ma hoqi kurorën nga koka. Më rrënoi nga çdo anë e mora fund, e shkuli si bimën shpresën time. U ndez kundër meje zemërimi i tij e u soll me mua si ta kisha armik. U mblodhën tok çetat e tij, çanë udhën drejt meje e ngritën fushimin rreth tendës sime. Vëllezërit e mi i dëboi larg meje e të njohurit më janë bërë si të huaj. Të afërmit ma kthyen shpinën e shokët më harruan. Bujtësit e shtëpisë sime e shërbëtoret e mia më shohin si të huaj, i panjohur u bëra në sytë e tyre. E thërras shërbëtorin e nuk më përgjigjet, mua vetë më duhet t'i bëj lutje. Fryma ime i pështiroset gruas sime, u neveritem fëmijëve të mi. Edhe çunakët më përçmojnë. Unë ngrihem e ata më përflasin? Të gjithë këshilltarët e mi më përbuzin e ata që i doja u kthyen kundër meje. Lëkura më ngjitet në kockë pa mish, më ka shpëtuar veç mishi i dhëmbëve. Mëshirë, mëshirë për mua, ju miqtë e mi, se më goditi dora e Perëndisë. Pse më përndiqni, si Perëndia? A nuk u ngopët me mishin tim? Ah, sikur të shkruheshin fjalët e mia e të radhiteshin në një libër, sikur të gdhendeshin përgjithmonë në shkëmb me daltë hekuri e me plumb! Unë e di se gjallë është shpëtimtari im, se, në fund, nga pluhuri do të ngrihet e, pasi të ma kenë rrjepur lëkurën e mishin, unë do të shoh Perëndinë. Unë vetë do ta shoh, sytë e mi do ta kundrojnë e jo një tjetër. Zemra po më digjet. Ju që thoni: “Si ta përndjekim?”, se në mua u gjet rrënja e të keqes, trembjuni shpatës, se furia goditet me shpatë e do ta merrni vesh se ka një gjyq». Cofar Namatiti u përgjigj e tha: «Tani mendja më thotë të të përgjigjem, për shkak të ngacmimit që është në mua. Dëgjova një ligjërim që më fyen e përgjigjen ma jep fryma e mençurisë. A nuk e di se, ngaherë, qëkurse njeriu u vendos mbi dhe, të paudhët galdojnë për pak kohë e të pafetë gëzojnë veç një grimë? Edhe po të arrijë gjer në qiell madhështia e tij, e koka e tij të prekë retë, do të bjerë përgjithmonë, si jashtëqitja e vet e ata që e patën parë do të thonë: “Ku iku?”. Si ëndrra do të davaritet e nuk do të gjendet, do të zhduket si vegimi i natës. Syri që e pa një herë, më nuk do ta shikojë e nuk do ta shohë as vendi i vet. Skamnorët do t'i përkrahin bijtë e tij, me duart e veta do ta kthejnë pasurinë. Eshtrat e tij dikur në lule të rinisë, bashkë me të në pluhur do të prehen. Nëse i duket e ëmbël në gojë ligësia dhe e mban fshehur nën gjuhë, e ruan, por nuk e gëlltit, e mban brenda në gojë, në bark do t'i prishet ushqimi e në zorrë helm nepërke do t'i bëhet. Pasurinë që gëlltiti do ta vjellë, Perëndia nga barku do t'ia nxjerrë. Helmin e gjarprit do të thithë e gjuha e nepërkës do ta vrasë. Nuk do të shohë më tek rrjedh lumi, përroi me mjaltë e me gjalpë. Do ta kthejë çfarë fitoi e nuk do ta hajë, nuk do t'i gëzojë fitimet e tregtisë, se i shtypi e i shpërfilli skamnorët, pushtoi shtëpitë që s'kishte ndërtuar, se barku i tij kurrë nuk u ngop e nga babëzia asgjë nuk i shpëtoi. Asgjë nuk i shpëtoi grykësisë së tij, prandaj nuk do të zgjasë mirëqenia e tij. Në kulmin e begatisë do ta gjejë mjerimi, shuplaka e çdo lloj kobi do ta godasë. Kur të jetë duke mbushur barkun, Perëndia do ta godasë me zjarrin e zemërimit, do t'ia lëshojë prushin si shi. Do t'i shpëtojë ushtës së hekurt, por do ta shporojë harku i bronztë. Do ta shkulë prej shpinës, por mëlçinë rrufeja do t'ia godasë e tmerri do ta pushtojë. Terri i thellë i rri në pritë, flaka që askush s'e ndezi do ta djegë e do të shkretojë ç'ka i mbeti në tendë. Qiejt do ta zbulojnë ligësinë e tij e toka kundër tij do të ngrihet. Të mirat e shtëpisë së tij do të firojnë, në ditën e zemërimit të tij do të zhduken. Këtë fat i caktoi Perëndia njeriut të paudhë, këtë trashëgimi i caktoi Perëndia». Jobi u përgjigj e tha: «Dëgjoni me vëmendje fjalët e mia e ky do të jetë ngushëllim për mua. Duromëni e unë do të flas dhe, si të kem folur, përqeshmëni. Vallë kundër një njeriu po ankohem? Pse të mos e humb duresën? Kthehuni kah unë e shtanguni, Mbajeni gojën me dorë. Tronditem kur kujtohem e mishi më rrëqethet. Pse vallë rrojnë të paudhët, madje moshohen e forcohen më shumë? Bijtë pranë tyre zënë vend me pinjojtë e tyre para syve. Të qeta i kanë shtëpitë e s'tremben, nuk i godet shkopi i Perëndisë. Mëzati i tyre ndërzen e s'i del huq, lopa e tyre nuk e dështon viçin. Djemtë e tyre porsi grigja dalin e valle fëmijët e tyre hedhin. I bien dajres e lirës, me tinguj fyelli ata kënaqen. I ngrysin ditët në begati e të qetë zbresin në skëterrë. Perëndisë i kanë thënë: “Larg nesh! S'duam t'i njohim udhët e tua. Çfarë është i gjithëpushtetshmi, që t'i shërbejmë? E çfarë fitojmë, po t'i përgjërohemi?”. Ata e kanë vetë në dorë begatinë, por, larg meje këshilli i të paudhëve! Sa herë u shuhet kandili të paudhëve? Sa herë i zë zezona? Sa herë Perëndia i brengos i zemëruar? Mos janë si kashta që e merr era apo si byku që e përlan furtuna? Thuhet se Perëndia e ruan ndëshkimin për bijtë e të ligut. Le t'i ndëshkojë, pra, ata, që të marrin vesh! Me sytë e vet ta shohin rrënimin e zemërimin e të gjithëpushtetshmit të pinë. Për kë lënë pas nuk mërziten, kur muajt e jetës krejt t'u kenë mbaruar. A i mësohet dija Perëndisë, atij që gjykon ata që janë lart? Dikush vdes në begati, fare i qetë e fare i kënaqur, me ijët plot qumësht e me palcën njomur. Dikush vdes me shpirt të hidhëruar, të mirën kurrë pa e shijuar. Në pluhur njësoj prehen e krimbat i mbulojnë. Ah, sa mirë i njoh mendimet tuaja, shestimet tuaja, për të më mujshuar. Se më thoni: “Ku është shtëpia e fisnikut? Ku është tenda e banimit të të paudhëve?”. Pse nuk pyetët udhës kalimtarët e nuk pranoni provat e tyre, se në ditën e mynxyrës shpëton i paudhi, në ditën e furisë ai e gjen rrugëdaljen. Kush i qorton ndër sy për sjelljen e tyre e kush ua kthen për çfarë kanë bërë? Pasi ta kenë çuar në varrezë të ligun, mbi varrin e tij do të vënë rojë e lehtë plisat e dheut mbi të do të prehen. Pas tij do të shkojë gjithë njerëzia, e panumërt do të ecë para tij. Si doni të më ngushëlloni me kotësira? Përgjigjet tuaja janë veç dredhi?». Elifazi u përgjigj e tha: «A i duhet gjë njeriu Perëndisë? A i duhet gjë atij i urti? Ç'dobi i sjell të gjithëpushtetshmit nëse je i drejtë? Ç'fiton ai me sjelljen tënde të përkryer? Mos vallë të ndëshkon ngaqë i druhesh? Prandaj hap gjyq ai me ty? A nuk janë të shumta paudhësitë e tua? A nuk janë pa fund ligësitë e tua? Vëllait tënd i mbajte peng pa shkak, edhe të zhveshurit i rrope. Të molisurit ujë s'i dhe të pijë, të uriturit bukë s'i dhe të hajë. Të fortit tokën ia dhe e në të banon kush gjen përkrahje. Të vejat i dëbove duarzbrazur e jetimëve ua theve krahët. Prandaj të rrethojnë leqet e tmerri të zë papritur, ose terri që të lë pa parë e vërshimi i ujërave të përmbyt. A nuk është Perëndia lart në qiell? Shiko sa lart janë yjet më të larta. E ti thua: “Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë në mes të terrinës? E kanë mbështjellë retë, ndaj nuk sheh, ai që shëtit mbi kupë të qiellit”. A do të ndjekësh udhën e lashtë, ku shkelën njerëzit e paudhë? Ata u rroposën para kohe, themelin ua rrëmbeu lumi. I thanë Perëndisë: “Larg nesh! Çfarë mund të na bëjë i gjithëpushtetshmi?”. Ai ua mbushte shtëpitë me të mira, por larg meje këshilli i të paudhëve. Të drejtët shohin e gëzohen e të pafajshmit me ta tallen: “A nuk u shuan armiqtë tanë? Pasurinë ua përpiu zjarri”. Pajtohu me Perëndinë e bëj paqe, se kështu do të të vijë e mbara. Prano mësimin prej gojës së tij e fjalët e tij në zemër mbaji. Nëse kthehesh kah i gjithëpushtetshmi, do të ndreqesh. Nëse e heq ligësinë nga tenda, nëse ari pluhur do të të duket e zall lumenjsh ari i Ofirit, i gjithëpushtetshmi do të jetë ari yt, pirgu i argjendit tënd. Atëherë me të gjithëpushtetshmin do të kënaqesh e kah Perëndia do ta kthesh shikimin. Do t'i lutesh e ai do të të dëgjojë e do t'i përmbushësh kushtet e tua. Do të vendosësh për diçka e do të kryhet e drita do të shndrisë në udhën tënde. Kur njerëzit poshtërohen ti thua është nga krenaria, se Perëndia të përulurin shpëton. Ai do të çlirojë edhe kë s'është i pafajshëm, falë duarve të tua të pastra do të çlirohet». Jobi u përgjigj e tha: «Edhe sot e kësaj dite ankoj i acaruar, mbi rënkimin tim rëndon dora e tij. Ah, sikur ta dija ku ta gjeja, sikur të arrija te banesa e tij! Para tij do ta shtroja çështjen time e me plot të drejtë do ta hapja gojën. Do të merrja vesh përgjigjen e tij e do të kuptoja çfarë do të më thoshte. A do të grindej me mua me tërë madhështinë e tij? Jo, vërtet do të më dëgjojë! Atje me të do të fliste një njeri i drejtë e gjykatësi im përgjithmonë do të më shfajësonte. Ja, shkoj më tej e ai nuk gjendet, kthehem pas e nuk e pikas. Po të sillem majtas askund nuk e shoh, po të kthehem djathtas nuk ma kap dot syri. E, pra, ai e di si sillem unë; le të më vërë në provë e porsi ar do të dal. Gjurmëve të tij shkeli këmba ime, udhën e tij e mbajta pa dredhuar. Urdhrit të buzëve të tij unë nuk iu shmanga, fjalët e gojës së tij në zemër i mbajta. Por ai është i vetëm e kush mund ta kundërshtojë? Çfarë ai dëshiron, atë edhe e bën. Çfarë caktoi për mua, ai do ta përmbushë, e shumë gjëra të tjera që i ka në mendje. Prandaj më zë tmerri në praninë e tij, mendohem e dridhem prej tij. Perëndia ma molisi zemrën më tmerroi ai, i gjithëpushtetshmi. Se nuk po më rrënon errësira, as po më mbulon terri». «Pse i gjithëpushtetshmi nuk e caktoi një kohë dhe ata që e njohin ditët e tij s'i shohin? Të paudhët lëvizin kufijtë, rrëmbejnë tufat e i kullotin. Jetimëve ua marrin gomarin, të vesë kaun i marrin peng. Dëbojnë nga udha nevojtarët e skamnorët e dheut bashkë fshihen prej tyre. Ja, si gomarët e egër në shkretëtirë për punë dalin e kërkojnë ushqim dhe djerrina ushqim u jep për fëmijë. Ndër ara ushqim mbledhin, ia vjelin të paudhit vreshtin. Cullak e kalojnë natën, pa u veshur, e në të ftohtë mbulojë nuk kanë. I lag shiu i malit e shkëmbit i qepen për strehim. Të paudhët nga mëkimi ndajnë jetimët e gjënë e skamnorit peng e marrin. Pa petka ecin zhveshur e të uritur duajt mbartin. Në zagna vajin e shtrydhin, shtrydhin rrush, por të etur mbeten. Rënkojnë nga qyteti të sëmurët për vdekje, të plagosurit çirren e kërkojnë ndihmë, por Perëndia nuk i dëgjon këto përçartje. Ata nuk e durojnë dritën, s'i njohin rrugët e saj, shtigjet e saj nuk i ndjekin. Me dritë ngrihet vrasësi, skamnorin vret e mjeranin e, kur bie nata, është porsi kusar. Syri i kurorëshkelësit përgjon në mugëtirë, thotë: “Askush s'më sheh” dhe mbulon fytyrën. Në errësirë shtëpitë dhunon, por ditën brenda mbyllet, pa e njohur dritën. Për të gjithë ata mëngjesi është terrinë e tmerret e saj mirë ata i njohin. Pa ujë ata ngelin, nëmur është toka e tyre e vreshtat askush s'ua sheh. Siç thajnë ujin e borës thatësira e vapa, ashtu mëkatarin skëterra e përpin. I harron barku i nënës, por i shijojnë krimbat. Nuk lënë pas kujtim, se ligësia këputet, siç këputet pema. Ngacmojnë gruan beronjë e të vesë s'ia bëjnë të mirën. Por Perëndia të fortët me forcë i mban, ringrihen kur s'kanë më shpresë për jetë. U jep siguri e ata kanë mbështetje, sytë hapur i mban mbi udhën e tyre. Lartohen një grimë e pastaj s'janë më, fundosen e vyshken si të gjithë, porsi kokrra e grurit thahen. Nëse s'është kështu, kush më përgënjeshtron e fjalën poshtë ma hedh?». Bildad Shuhiti u përgjigj e tha: «Perëndisë i takon pushteti e tmerri, në lartësitë e veta ai paqen vendos. A kanë numër vallë aradhet e tij? E mbi kë vallë nuk lind drita e tij? E si mund të jetë i drejtë para Perëndisë njeriu? Si mund të jetë i pastër kush u lind prej gruas? Ja, deri edhe hëna nuk është e kulluar, as yjet s'janë të pastër në sytë e tij, aq më pak krimbi njeri, apo larva njerëzi». Jobi u përgjigj e tha: «Si e ndihmove ti të pafuqishmin dhe a e shërove krahun e molisur? Si e këshillove të paurtin, mos dhurove shumë dituri? Kujt ia drejtove fjalën e fryma e kujt prej teje doli? Poshtë hijet dridhen e ujërat me ç'kanë brenda. Cullak është para Perëndisë skëterra dhe pa mbulesë humnera. Ai e shtrin veriun mbi zbrazëtinë, në asgjësend tokën ai e var. I ndryn ujërat në retë e veta e retë nën to nuk shqyhen. Ai e mbulon pamjen e fronit, renë e vet mbi të e shtrin Ujërave rreth cakun ua vuri, mu ku mbaron drita e fillon errësira. Shtyllat e qiellit dridhen e i shtang qortimi i tij. Me forcën e vet detin trazon, Rahabin thërmon me dijen e vet. Me erën e tij edhe qiejt kthjellohen, e ther dora e tij gjarprin rrëshqitës. Këto janë veç skajet e veprave të tij, e sa pakëz ne ua ndiejmë psherëtimën! Po oshtimën e fuqisë së tij, kush do ta kuptojë?». Jobi mori sërish fjalën e tha: «Pasha Perëndinë që ma hoqi të drejtën, pasha të gjithëpushtetshmin që ma helmoi shpirtin, sa të kem frymë në mua e shpirt Perëndie në flegrat e mia, buzët e mia ligësira nuk do të thonë e prej gjuhës sime nuk do të dalë mashtrim. Larg qoftë t'ju jap të drejtë, e pa dhënë shpirt unë, vetes nuk ia mohoj drejtësinë. Fort e mbaj drejtësinë time e nuk e lëshoj, s'më qorton zemra për asnjë nga ditët e mia. I rëntë armikut tim fati i të paudhit, fati i keqbërësit kundërshtarit tim. Çfarë shprese ka i pafeu kur këputet, kur Perëndia jetën ia merr? A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur ai të ketë rënë ngushtë? A do të kënaqet me të gjithëpushtetshmin? Do ta thërrasë Perëndinë kurdoherë? Unë do t'ju mësoj si sillet Perëndia, nuk do t'jua fsheh ç'mendon i gjithëpushtetshmi. Ja, të gjithë ju vetë e shihni e pse me kotësira kot po merreni? Këtë fat merr njeriu i mbrapshtë nga Perëndia, këtë trashëgim mujshari nga i gjithëpushtetshmi: në pastë shumë bij, mbi ta rëndon shpata e pinjojtë e tij me bukë nuk do të ngopen. Të mbijetuarit do t'ia groposë murtaja, e të vejat nuk do t'i vajtojnë. Nëse si dheun do ta mbledhë argjendin e si baltën petkat t'i gatitë, t'i gatitë, por do t'i veshë i drejti e argjendin i pafajshmi do ta ndajë. Të brishtë si merimanga e ndërtoi shtëpinë, si streha që ndërton rojtari. Shtrihet i kamur, por më kot, hap sytë e s'gjen asgjë. E zë tmerri, porsi uji vërshues, natën vorbulla e përpin. E merr era e lindjes dhe merr fund, e shkul nga vendi i vet. E vërvit pa mëshirë e ai nga dora përpiqet t'i ikë. Duartrokasin kundër tij e nga vendi i tyre kundër tij fërshëllejnë». «Po, argjendit i gjenden xehja, edhe arit shkritorja. Hekuri prej dheut nxirret e bakri prej gurit del. Njeriu e ndal errësirën e në çdo skaj rrëmon gurin e territ e të pisës. Hapin hurdha larg vendbanimit, ku nuk shkel këmba e udhëtarit e, larg njerëzisë, pezull lëkunden. Toka prej nga del buka përposh vlon si zjarr. Te gurët e saj gjendet safiri dhe ari te pluhuri i saj. Atë shteg s'e njeh as shpendi grabitqar, nuk e pikas as syri i skifterit, nuk e rreh as egërsira krenare, nuk e përshkon dot as luani. Njeriu ngre dorë kundër granitit, i përmbys malet që në rrënjë. Nëpër shkëmbinj tunele hap e sytë e tij shquajnë çdo gjë të çmueshme. Burimet e lumenjve bën zap e gjërat e fshehura në dritë i nxjerr. Po urtia, prej nga mund të nxirret? Ku është vallë vendi i mençurisë? Njerëzit asaj vlerën nuk ia njohin e nuk gjendet në dheun e të gjallëve. Humnera thotë: “Nuk është tek unë”. E deti thotë: “Nuk është në mua”. Nuk shkëmbehet dot me ar të kulluar, nuk peshon argjendi sa çmimi i saj. Nuk blihet me ar Ofiri, me oniks apo me zafir të çmuar. Nuk krahasohet me ar, as me qelq e nuk shkëmbehet me enë ari të kulluar. As të mos përmenden koralet e kristalet, se më shumë se perlat vlen urtia. Nuk matet me të topazi i Kushit e nuk paguhet, jo, me ar të kulluar. Po urtia, prej nga mund të vijë? Ku është, vallë, vendi i mençurisë? U përvodh nga sytë e tërë të gjallëve, edhe nga zogjtë e qiellit është fshehur. Humnera e vdekja thonë: “Kemi dëgjuar të flitet për të”. Por, Perëndia e njeh udhën e saj, ai e di ku ndodhet ajo. Ai e sheh tokën skaj më skaj dhe gjithçka nën qiell shikon. Kur i dha erës peshën, kur ujërat mati e peshoi, kur shiut rregullin i caktoi e shtegun vetëtimës gjëmuese, atëherë e pa dhe e kumtoi, e caktoi dhe e shqyrtoi e i tha njerëzimit: “Ja, droja e Zotit, ajo është urtia. Shmangu nga e keqja e kjo është mençuria”». Jobi foli sërish e tha: «Ah, sikur të më kthente në muajt e dikurshëm, në ditët kur më ruante Perëndia, kur llamba e tij mbi kokën time feksej dhe ecja nëpër terr me dritën e tij! Siç isha në ditët e mia më të mira, kur në tendën time me Perëndinë kuvendoja, kur me mua ende ishte i gjithëpushtetshmi e djemtë e mi mua më rrethonin, kur këmbët me qumësht i laja e bri meje vaj kullonte shkëmbi! Kur dilja te porta e qytetit e në shesh stolin tim e vija, zmbrapseshin të rinjtë sapo më shihnin e pleqtë më këmbë brofnin, fisnikët e ndërprisnin fjalën dhe gojën mbanin me dorë. Princave u ikte zëri e gjuha për qiellzë u kapej. Më mburrte kush me veshë më dëgjonte, kush me sy më shihte për mua dëshmonte, se i ndiha skamnorit rënkimtar e jetimit që askush s'i ndihte. Bekimi i të gremisurit mbi mua zbriste e zemrës të së vesë ia ktheja galdimin. Me drejtësi u ngjesha e ajo më veshi, për petk e për fes drejtësinë unë pata. Unë qeshë sy për të verbrin e këmbë për të çalin, atë unë qeshë për nevojtarin e mbrojtës për çështjen e të panjohurit. Të ligjve ua thyeja nofullat e prej dhëmbëve ua hiqja prenë. Thosha me vete: “Në çerdhen time do të jap shpirt e do t'i shumoj sa rëra ditët e mia. Rrënja ime arrin në ujë, natën vesa degët m'i mbulon. Lavdia ime është përherë e re, gjithnjë i ri në dorën time harku”. Njerëzit më dëgjonin e heshtur këshillën time prisnin. Kur flisja unë, askush nuk fliste më, se rigonte mbi ta fjala ime. Mua më prisnin siç pritet shiu, me gojën hapur për shiun pranveror. U qeshja e nuk më besonin, por fytyrën e çiltër dot nuk ma zymtonin. U tregoja udhën e zija kryet e vendit, qëndroja si mbret me ushtarë rrethuar e si ngushëllues i të pikëlluarve». «Por sot me mua tallen më të rinjtë se unë, etërit e tyre s'i vija as me qentë e grigjës. Ç'më duhet fuqia e duarve të tyre? Vrullin ata e humbën. Në skamje e uri, ndër djerrina dhëmbët kruajnë, ndër rrënojat e shkretimit. Brejnë tagji e gjethe shkurresh, ngrohen me rrënjë gjineshtre. Njerëzit i dëbojnë nga shoqëria e u bërtasin si të ishin kusarë. Ata banojnë ndër shpate luginash, në shpella dheu e ndër shkëmbinj. Ulërijnë nëpër shkurre e mblidhen nëpër hithra, pjellë e marrëzisë e bij të askushit, nga toka të dëbuar. Me këngë tani më tallin e përrallë për ta u bëra. Neveriten prej meje, prej meje largohen e në fytyrë më pështyjnë pa ngurrim. Perëndia ma shkrehu harkun e më këputi e ata nuk kanë më fre me mua. Në të djathtë më ngrihet lukunia, këmbëve më bëjnë t'ua mbath e udhën e rrënimit ata më shtrojnë. Rrugën ma presin, rrënimin më kurdisin e askush s'i ndal. Vijnë si nga zgavra të gjera, prej rrënojash rrëshqanë dalin. Tmerri u soll kundër meje, nderi porsi era më shtillet e si reja shkoi begatia ime. E tani shpirti po më fishket, ditët e pikëllimit më kapluan. Natën dhimbja kockat m'i ther e brejtja s'më lë të qetë. Më kap me forcë për petkash, qafëzën e tunikës ma shtrëngon. Në llucë më plandosi, pluhur e hi u bëra. Unë të thërras ty, por ti nuk përgjigjesh, qëndroj para teje, por ti s'më përfill. U bëre mizor me mua, me dorë të rreptë më përndjek. Më ngre kaluar në erë e më përplas në stuhi. E di se më çon drejt vdekjes, në shtëpinë që për tërë të gjallët u caktua. A nuk shtrihet dora pas rrënimit, nëse lypet ndihmë në mjerim? A nuk qava me ditëzinjtë? A nuk m'u dhimbs në shpirt skamnori? Prisja të mirën e më zuri e liga, prisja dritën e më zuri terri. Më ziejnë zorrët pa pushim e ditë pikëllimi më mësyjnë. Endem i ngrysur e s'ka diell për mua, ngrihem në kuvend e thërras për ndihmë. Vëlla me çakejtë u bëra e shok me zogat e strucit. Zi m'u bë lëkura e po më rripet edhe vapa kockat po m'i djeg. Për vajtim e kam lirën e fyellin për zë gjëmëtarësh». «Me sytë e mi besë kisha lidhur asnjë virgjëreshë për të mos e këqyrur. Ç'hise më ra së larti prej Perëndisë, ç'trashëgim nga lart prej të gjithëpushtetshmit? A nuk i bie zezona të ligut, a nuk i godet kobi keqbërësit? A nuk e sheh ai sjelljen time? A s'i numëron tërë hapat e mi? Po të kem jetuar me mashtrim e po të ketë rendur këmba ime drejt dredhisë, le të më peshojë me peshoren e drejtësisë e Perëndia do ta njohë përsosjen time. Nëse hapat e mi e lanë rrugën, nëse zemra ndoqi lakminë e syve, e nëse duart m'u ndynë, unë mbjellsha, një tjetër ngrëntë e u zhbiftë fara ime! Nëse ndonjë grua zemrën ma joshi e nëse mikut te dera pritë i vura, për tjetërkënd bluajtë gruaja ime e tjetërkush u shtriftë mbi të, se diçka e tillë është poshtërsi e gjyq lyp e tillë ligësi, ndaj zjarri përpiftë deri edhe humnerën dhe e shkretoftë të vjelën time. Nëse s'ia dhashë të drejtën skllavit apo skllaves që tek unë u ankuan, ç'të bëj kur Perëndia të ngrihet? Në më hetoftë, si t'i përgjigjem? A s'i krijoi edhe ata, ai që mua më krijoi? A s'na vendosi ai njësoj në bark të nënës? Mos vallë skamnorëve dëshirat s'ua plotësova e i lashë të lëngojnë sytë e të vejave? Apo vetë e hëngra kafshatën e jetimët prej saj nuk hëngrën? Që në rini si atë e rrita, që prej barkut të nënës unë i priva. Mos vallë kur pashë një të gjorë pa petka e një nevojtar pa mbulojë, s'më bekuan ijët e tij? A s'u ngroh ai me leshin e shqerrës sime? Po të kem ngritur dorë ndaj jetimit, pasi pashë se në gjyq më përkrahin, supi nga shpatulla m'u shkultë e krahu në bërryl m'u këputtë, se më tmerron kobi i Perëndisë e madhështisë së tij nuk i bëj dot ballë. A e vara unë shpresën tek ari? Po arin e kulluar, “besimi im” e quajta? A mos u ngazëlleva për begatinë e madhe apo se dora ime mblodhi shumë? Nëse e pashë dritën të ndriçojë e hënën të ecë feksur dhe zemra fshehtas aq m'u gënjye sa me dorë nga buzët puthje t'u dërgoja, faj për t'u gjykuar edhe ky do të ishte, se Perëndinë e tejlartë do ta mohoja. A u gëzova unë për kob të armikut tim? A u ngazëlleva pse i ra e liga? S'e lashë gojën time të mëkatojë, duke lëshuar nëmë mbi jetën e tij. Po a nuk thoshin njerëzit e tendës sime: “Kush s'u ngop me mishin që ai i dha?”. Udhëtari kurrë në rrugë nuk bujti, se shtegun e derës sime hapur ia lashë. Mos vallë si Adami fajin tim e fsheha? Mos në kraharor e ndryva ligësinë, a thua se druaja turmën e madhe e përbuzja e fisit sikur më trembte sa gojën të mbyllja e nga dera të mos dilja? Ah, sikur dikush të më dëgjonte! Ja nënshkrimi! Të më përgjigjet i gjithëpushtetshmi! Se librin që shkroi paditësi im e mbaj mbi shpatulla, e thur kurorë për vete. Çdo hap atij do t'ia tregoj, si princ atij unë do t'i qasem. Nëse vikati toka kundër meje e nëse brazdat qajnë me të, nëse frytin pa pagesë ia hëngra e nëse bujqve të saj ua mora shpirtin, në vend të grurit gjemba le të qesë e në vend të elbit egjër». Mbarojnë fjalët e Jobit. Tre burrat nuk iu përgjigjën më Jobit, se atij i dukej vetja i drejtë. Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, prej fisit të Ramit, u zemërua fort me Jobin, për shkak se e hiqte veten më të drejtë se Perëndia. Ai u zemërua shumë edhe me tre shokët e tij, se ata, edhe pse e dënonin Jobin, nuk e kishin gjetur përgjigjen. Elihui kishte pritur e nuk kishte folur me Jobin, ngaqë ata ishin më të moshuar. Kur Elihui pa se nga goja e tre burrave nuk doli asnjë përgjigje, u zemërua se tepërmi. Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, u përgjigj e tha: «Thashë me vete: “Le të flasë mosha e urtinë vitet e shumta le ta kumtojnë!”. Mirëpo vetëm shpirti e jepka kuptimin, ai dhe fryma e të gjithëpushtetshmit. Nuk janë të urtë veç të moshuarit e të drejtën s'e kuptojnë veç pleqtë. Prandaj unë thashë: “Dëgjomëni! Dua edhe unë ta shpalos dijen time”. Ja, i prita fjalët tuaja, mençurinë tuaj e dëgjova kur po kërkonit fjalët. Jua vura mendjen, por ja, askush s'e mposhti Jobin, fjalëve të tij asnjëri s'iu përgjigj. Edhe mos thoni: “Ja çfarë është e urtë: Perëndia ta mposhtë, e jo njeriu”. Asnjë fjalë s'ma drejtoi mua e s'do t'i përgjigjem me fjalët tuaja. U mposhtën e s'u përgjigjën më, u iku fjala nga goja. Unë prita, por ata nuk folën, u ndalën e s'u përgjigjën më. Por edhe unë, unë vetë do të them diçka, edhe unë do ta shpalos dijen time. Dëng unë jam me fjalë e shpirti më shtyn nga brenda. Përbrenda jam si vera që s'merr frymë e i pëlcet kacekët e rinj. Duhet të flas e të shfrej, ta hap gojën e të gjegjem. Nuk do t'i mbaj krah askujt, as do të lajkatoj njeri, se lajkat nuk i njoh e do të më zhbënte bërësi im». «Tani, o Job, dëgjo çfarë do të them e tërë fjalëve të mia vëru vesh! Ja, unë hap gojën e gjuha nën qiellzë flet. Nga zemra e sinqertë fjalët mua më rrjedhin e buzët e mia e dinë se flasin me pastri. Shpirti i Perëndisë mua më bëri, fryma e të gjithëpushtetshmit jetën mua ma dha. Gjegjmu, po qe i zoti, gatitu para meje e zër vend. Ja, te Perëndia njësoj si ti unë jam, nga balta edhe unë u nxora. Mos ki, pra, frikë prej meje e trysnia ime mos të të rëndojë. Ti fole, po, e zërin e fjalëve të tua me veshët e mi e dëgjova: “Jam i pastër, s'kam bërë shkelje, nuk kam faj e s'kam ligësi. Ja, Perëndia gjen shkas për të më bërë armik. Këmbët në pranga m'i vë, i mbikëqyr tërë shtigjet e mia”. E unë të them: këtu nuk ke të drejtë. Më i madh se çdo njeri është Perëndia. Pse matesh me të e thua s'të kthen çdo fjalë? Një herë flet Perëndia e të dytën herë nuk rroket. Në ëndërr, natën në vegim, kur mbi njerëzinë kllapia bie, e ndër shtroja ata dremisin, njerëzve ai veshët ua hap e ua mbush me udhëzime, për ta kthyer njerëzinë nga zararet e për ta zhveshur nga krenia, për t'ia shpëtuar shpirtin nga gropa e jetën nga ushta vringëlluese. Ai e qorton me dhimbje në shtrojë e me dridhje kockash pa pushim, aq sa në jetë edhe buka i neveritet e në shpirt edhe gjella më e këndshme. Mishi i tij fishket e s'shihet më e i dalin kockat që nuk i shiheshin. Gropës shpirti i tij iu qas e vdekjeprurësve jeta e tij. Ah, sikur të vijë pranë një engjëll, një ndër një mijë ndërmjetësues, për t'i treguar njerëzisë të drejtën, për t'i dhënë hir e për të thënë: “Shpëtoje, o Perëndi, nga gropa ku po bie! E gjeta unë shpagimin”. Më shumë se në rini do të zhdërvillet mishi i tij e në ditët e djalërisë prapë do të kthehet. Perëndisë do t'i lutet e ai do ta pranojë, me galdim fytyrën do t'ia shohë e njeriut drejtësinë prapë do t'ia kthejë. Do të hasë në njerëz e do t'u thotë: “Mëkatova, por prapësia që bëra nuk m'u kthye. Ai ma shpëtoi shpirtin nga groposja e tani, i gjallë, mund të kundroj dritën”. Ja, të gjitha këto i bën Perëndia, dy-tri herë, për njeriun, për t'ia rinxjerrë nga gropa shpirtin, jetën me dritë për t'ia shndritur. Ki mendjen, Job, e më dëgjo, ti hesht e unë do të flas. Nëse ke diçka për të thënë, përgjigjmu, fol, se të drejtë dua të të jap. Nëse s'ke asgjë, ti më dëgjo, hesht e unë do të ta mësoj urtinë». Elihui foli sërish e tha: «Dëgjojini, o të urtë, fjalët e mia, edhe ju, o të ditur, mbamëni vesh, pasi veshi fjalët i dallon e qiellza gjellën e shijon. Le ta zgjedhim vetë çfarë është e drejtë, vetë le ta pranojmë çfarë është e mirë, se Jobi tha: “I drejtë unë jam, por të drejtën ma mori Perëndia. I drejtë jam e më bëjnë gënjeshtar, më shigjetojnë për vdekje e faj nuk kam”. Cili njeri është porsi Jobi, që talljen gjerb si ujin, që bredh me punëkeqët e me rrengshorët shëtit, pasi tha me vete: “S'ka dobi njeriu Perëndinë të kërkojë!”. Prandaj, o zemërmirë, dëgjomëni mua: larg Perëndisë paudhësia, larg të gjithëpushtetshmit padrejtësia! Ai e shpërblen njeriun për çka bën, e si të sillet njeriu ashtu edhe e gjen. Vërtet Perëndia nuk bën ligësi, të drejtën i gjithëpushtetshmi s'e shtrembëron. Kush e caktoi të sundojë tokën e kush e përftoi tërë gjithësinë? Po të merrej me veten e vet dhe shpirtin e frymën për vete ta mbante, njëherësh do të shuhej çdo qenie e gjallë e njerëzia në pluhur do të kthehej. Nëse ke mend, dëgjoje këtë gjë, vëri vesh tingëllimës së fjalëve të mia. A mund të sundojë kush e urren drejtësinë? E ti do të dënosh të drejtin e fuqishëm, atë që mbretit: “Krahëthatë!”, i thotë e fisnikëve: “Të paudhë!”, që princave anën nuk ua mban e të pasurin s'e vë para të varfrit, sepse të gjithë dora e tij i bëri. Në mes të natës papritur vdesin, dridhen popujt e kalojnë, pa vënë dorë njeri rrëzohen trimat. Ai sytë tek udhët e njerëzve i mban e i sheh të gjithë hapat e tyre. Nuk ka terr as terrinë ku të fshihen punëligjtë. Kohën askujt s'ia ka caktuar para Perëndisë në gjyq të dalë. I këput të pushtetshmit pa i hetuar e në vendin e tyre të tjerë vendos. Meqë i njeh veprat e tyre, për një natë i përmbys e i shtyp. Si keqbërës i shuplak, në një vend ku të gjithë i shohin, se prej tij u larguan e i shpërfillën tërë udhët e tij. Tek ai mbërriti klithma e skamnorëve, klithmën e të pikëlluarve e dëgjoi. Kur ai hesht, kush e dënon? Nëse fsheh fytyrën, kush vallë e sheh? Por mbi kombe e mbi njerëz njëherësh sundon, që njeriu i pafe të mos mbretërojë e as ata që popullit kurth i ngrenë. A i thotë kush Perëndisë: “Pësova e nuk do të mëkatoj. Çfarë nuk shoh vetë, ti ma mëso, në kam bërë keq, më s'do ta bëj”? A duhet të të shpërblejë siç mendon ti? Ti që e shpërfille, vendos pra, e thuaj çfarë di. Njerëzit me mend do të më thonë, bashkë me njeriun e urtë që më dëgjon: “Jobi nuk flet si i ditur, nuk janë të mençura fjalët e tij”. Le të sprovohet Jobi deri në fund, se si keqbërës përgjigjet. Mëkatit i shton kryeneçësinë e mes nesh mbjell dyshim, se flet gjithnjë e më shumë kundër Perëndisë». Elihui foli sërish e tha: «A të duket i drejtë mendimi yt, ty që thua: “Kam të drejtë më shumë se Perëndia”? dhe thua: “Çfarë të duhet ty? Po unë, çfarë fitoj prej mëkatit tim?”. Unë do të të përgjigjem ty e miqve të tu me ty. Vështroje qiellin e shikoi retë që janë më lart se ty. Nëse mëkaton, çfarë i bën vallë atij? Nëse janë shumë fajet e tua, atij çfarë i bën? Po të jesh i drejtë, çfarë i jep atij? Çfarë mund të marrë ai prej dorës sate? Njerëzit si ti i prek paudhësia jote, të gjithë njerëzit i prek drejtësia jote. Kur pesha e shtypjes rëndon, njerëzit bërtasin, ndihmë kërkojnë kundër dorës së pushtetarit. Por askush nuk thotë: “Ku është Perëndia, krijuesi im, që e mbush natën me këngë, që na bën më të ditur se shtazët e tokës e më të zgjuar se zogjtë e qiellit?”. Atëherë klithën, por ai s'iu përgjigj, për shkak të krenarisë së të ligjve. Perëndia nuk e dëgjon britmën e kotë, nuk i vë vesh i gjithëpushtetshmi, e aq më pak ty që thua se nuk e sheh. Prit se çështja jote gjendet para tij. E tani që zemërimi i tij nuk ndëshkon e ai nuk e vëren marrëzinë e tepruar, më kot e hap gojën Jobi e pa dijeni flet fjalë të shumta». Elihui foli sërish e tha: «Ki pak durim e unë do të të mësoj, sepse ende mund të flas për Perëndinë. Prej së largu do ta nxjerr njohurinë time e krijuesit tim do t'i jap të drejtë, se vërtet nuk janë të rreme fjalët e mia e me ty po flet një dijeplotë. Ja, Perëndia është i fuqishëm e nuk përbuz, e fuqishme forca e kuptimit të tij. Të paudhin nuk e lë të gjallë e të pikëlluarve ua jep të drejtën. Nuk i heq sytë nga i drejti, por i vendosi mbi fron me mbretërit e të madhëruar janë përgjithmonë. Nëse kanë rënë në pranga e janë zënë në leqet e pikëllimit, ai u tregon veprat e tyre e shkeljet që bënë prej krenarisë, u hap veshët të dëgjojnë qortimin e u bën thirrje të lënë prapësinë. Nëse dëgjojnë e atij i shërbejnë, në begati do t'i shtyjnë ditët e vitet në kënaqësi. Por, në mos e dëgjofshin, nëpër shpatë do të kalojnë, do të japin shpirt pa e kuptuar si. Zemërpërdalët grumbullojnë zemërim e kur Perëndia t'i robërojë nuk kërkojnë shpëtim. Të rinj ata heqin shpirt, u shuhet jeta në lavirësi. Me pikëllim i shpëton të pikëlluarit, me fatkeqësi veshët ua hap. Edhe ty të nxori nga gryka e ngushticës në një vend të hapur, pa shtrëngesa, e plot me gjellë të majme u shtrua tryeza jote. Ti u mbushe me gjykime të mbrapshta, por gjykimi i drejtë mbi ty do të bjerë. Je i zemëruar, por mos u tall, shumë blatove, por mos e tepro. A të nxjerr nga ngushtica britma jote me gjithë mundin e fuqisë sate? Mos e dëshiro atë natë kur popujt do të shkojnë në vendin që u takon. Ruhu e mos iu kthe ligësisë, se për shkak të saj të zuri pikëllimi». «Ja, i madhërishëm është Perëndia në fuqinë e vet, ku ka udhërrëfyes si ai? Kush ia caktoj udhën atij e kush i tha: “Veprove keq”? Kujtohu ta madhërosh veprën e tij, të cilës njerëzit këngë i thurën. Mbarë njerëzia e ka kundruar, secili e vështron nga larg. Po, i madhërishëm është Perëndia e ne nuk e rrokim dot, të panumërueshme janë vitet e tij. Pikëzat e ujit lart ai i ngre e avujt e tyre kthehen në shira, që retë i zbrazin e me rrëshekë mbi njerëzit bien. Kush e merr me mend shtrirjen e resë dhe ushtimën e banesës së tij? Ja, ai e rrethon veten me dritë dhe thellësitë e detit i mbulon. Kështu i gjykon ai popujt, u jep ushqim me mbushulli. Në pëllëmbë të dorës i mban rrufetë e i urdhëron të gjuajnë. Gjëmimi i tyre flet për të, zemërimi i tij nuk e duron të keqen. » «Për këtë më dridhet zemra e më del nga vendi. Dëgjojeni, dëgjojeni krismën e zërit të tij, buçimën që del nga goja e tij. Nën qiellin mbarë e lëshon e vetima gjer në skajet e tokës shkon. Pas saj buçet një zë, shkreptin me zërin madhështor e asgjë s'i ndalon rrufetë pasi iu është dëgjuar zëri. Shkreptin Perëndia me zërin e tij e bën mrekulli që ne nuk i njohim. I thotë borës: “Bjer mbi tokë!” dhe zbraz shira të rrëmbyeshëm. Ai e ndal dorën e të gjithë njerëzve, që të gjithë njerëzit veprën e tij ta njohin. Egërsirat shkojnë në strofujt e vet e struken në banën e vet. Prej jugës vjen stuhia e acari prej murrlanit. Fryma e Perëndisë përfton akullin e ngrin syprina e ujërave. Retë i ngarkon me lagështi e vetimat e tij shpërndajnë. Shtillen gjithandej nën drejtimin e tij, për të kryer gjithçka u urdhëroi në botën përmbi dhe, se ai i përftoi ose për ndëshkim, ose për tokën e vet, ose për mirësi. Dëgjo këtu, o Job, zër vend e mrekullitë e Perëndisë mendo. A e di ti si u jep urdhra Perëndia e si e nxjerrin retë e tij rrufenë? A e di ti si fluturojnë retë? A i njeh mrekullitë e dijeplotit ti, që petkat të ngrohin, kur mbi dhe fashitet juga? Mos vallë me të i shtrive retë të ngurtë si pasqyrë e shkrirë? Na mëso çfarë t'i themi atij, se nuk marrim vesh për shkak të errësirës. A mund t'i thuhet se unë dua të flas? Nëse ai flet, njeriu do të përpihet. Mirëpo nuk e shohin njerëzit dritën tek shkëlqen mbi re, derisa era t'i shpërndajë. Nga veriu vjen drita e artë e madhështia mahnitëse Perëndinë rrethon. Të gjithëpushtetshmin ne nuk mund ta gjejmë, ai është madhështor në pushtet e drejtësi dhe nuk e nëpërkëmb drejtësinë e madhe. Prandaj njerëzit i tremben atij, por ai nuk i përfill ata që pandehen zemërurtë». Atëherë Perëndia iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha: «Kush është ky që e zymton këshillën me fjalë pa kuptim? Ngjishe brezin si burrë, se unë do të të pyes e ti do të më mësosh. Ku ishe ti kur unë hodha themelet e tokës? Fol, nëse e njihke kuptimin! Kush ia caktoi përmasat, po e dite? Kush e mati me litar? Mbi çfarë u hodhën themelet e saj ose kush ia vuri gurin e këndit, kur yjet e mëngjesit tok gumëzhinin e të gjithë bijtë e Perëndisë brohorisnin? Kush ia mbylli dyert detit, kur shpërtheu e nga barku doli, kur retë ia bëra si petka e sterrën si shpërgënj? Unë ia caktova caqet e dyerve ua vura shulin, pastaj thashë: “Deri këtu do të vish e jo më tej! Këtu do të të thyhen dallgët krenare”. Vallë, gjatë jetës, a e urdhërove mëngjesin? Po agut, a ia tregove vendin, që tokën për cepash ta kapte e t'i shkundte prej saj të paudhët? Ajo shndërrohet si deltina nën vulë e ngjyhet si petku. Mëkatarëve u përvidhet drita e u copëtohet krahu i ngritur. A mbërrite dot te burimet e detit? A shëtite vallë në fund të humnerës? A t'u shfaqën ty dyert e vdekjes? Po dyert e terratisjes i ke parë vallë? A ta ka rrokur mendja hapësirën e dheut? Trego, në i di tërë këto! Nga bie rruga për ku banon drita? Po errësira, ku e ka vendin, që ta mbash brenda cakut të saj e shtegun e shtëpisë së saj ta dallosh? Patjetër ti e di, sepse kishe lindur e i madh është numri i ditëve të tua. A ke hyrë në hangarët e borës? Po drithnikët e breshrit, i ke parë? Unë i ruaj për kohë ngushtice, për ditë beteje e luftimi. Për cilën udhë shpërndahet drita e përhapet juga mbi dhe? Kush ia hapi hullinë ujit përmbytës e shtegun vetëtimës gjëmuese, për të sjellë shi në tokën pa njeri, mbi shkretëtirën ku nuk shkel njerëzia, për të ngopur thatinën e shkretinë, që djerrina bar të qesë? A ka shiu atë? Po pikat e vesës, vallë, kush i lindi? Prej barkut të kujt u lind akulli? Po brymën prej qiellit, kush e lindi vallë? Si gur ngurtësohet uji e ngrin faqja e honit. A mund t'i lidhësh ti vargjet e Shenjëzave, apo Orionit t'ia zgjidhësh vargoin? A e qet në kohë Yllin e Mëngjesit dhe a e drejton dot Arushën me zogj? Ai i njeh vallë ligjet e qiellit? A i vendos dot në tokë rregullat e tij? A mund t'i urdhërosh retë që të të mbulojë uji përmbytës? A mund t'i lëshosh vetëtimat e a do të nisen duke thënë: “Si urdhëron”? Kush ia caktoi brendisë urtinë e kush ia dha mendjes kuptimin? Kush mund t'i numërojë retë me urti e kush i zbraz kacekët e qiellit kur pluhuri ngjishet tok e plisat ngurtësohen? A e gjuan dot prenë e luanit? Po këlyshëve të tij, a ua shuan urinë, kur mblidhen kruspull në strofull apo kur presin në shkurrnajë? Kush ia gatit korbit ushqimin, kur zogjtë e tij Perëndinë thërrasin e përenden pa ushqim?». «A e di ti kur pjellin dhitë e malit? A i ke vrojtuar drenushat kur lindin? Ua ke njehur vallë plotësimin e muajve? Ua di vallë kohën e pjelljes, kur shtrihen e lindin të vegjlit dhe nxjerrin në dritë frytin e dhimbjes? Mëkëmben këlyshët e tyre e rriten përjashta, ikin e më tek ato nuk kthehen. Kush e lëshoi në liri gomarin e egër? Kush ia zgjidhi litarin mushkës, të cilës i caktova si shtëpi shkretëtirën e si vendbanim dheun kripor? Ai e përqesh rrëmujën e qytetit e nuk i dëgjon klithmat e ndjekësve. Endet kullotave të veta malore e kërkon çdo bimë të blertë. A pranon bizoni të të shërbejë? A e kalon natën në stallën tënde? A e vë dot në brazdë për laku? A do të vijë pas teje duke pluguar? A do t'i zësh besë atij, se është shumë i fortë, e do t'ia ngarkosh atij punën tënde? A beson se ai do të kthehet e do ta sjellë farën në lëmë? Gëzueshëm i rreh krahët struci, por zogjtë i bën pa pendë e pupla, vezët përtokë i vë e në pluhur i ngroh, ndonëse këmba mund t'i shkelë e bisha mund t'i shtypë. Ashpër sillet me zogjtë, a thua se s'janë të vetët e s'ka frikë se punon kot. Se ia hoqi Perëndia urtinë e s'ia dha zgjuarsinë. Kur ngrihet e flatron, kalë e kalorës përqesh. A ia jep ti kalit fuqinë? Krifën në qafë, vallë, ti ia vure? A e bën ti të kërcejë si karkalec? Hingëllima e tij madhështore tmerron. Hareshëm thundron me forcë në luginë, armëve përballë u del. E përbuz frikën e nuk tutet, nuk zbythet para shpatës. Nga pas i tringëllon kukura, heshta përshkënditëse e shtiza. Me tërbim e furi dheun ha e as zëri i borisë nuk e ndal. Kur bie boria, thotë: “Hihi!”. Nga larg nuhat luftën, britmën e prijësve e gjëmën e betejës. Mos flatron skifteri falë dijes sate e krahët drejt jugut i hap? Mos vallë nën urdhrin tënd lartohet shqiponja e në lartësi folenë vë? Mbi shkëmb ajo ngul e mbi prita kreshtash shkëmbore bun. Prej andej e vrojton prenë, prej larg sytë e saj e shohin. Zogjtë e saj pinë gjak e ku ka të vrarë, aty ajo gjendet». Zoti i foli sërish Jobit e tha: «A ka qortues që ndeshet me të gjithëpushtetshmin? Le të përgjigjet ai që do të ndreqë Perëndinë!». Jobi iu përgjigj Zotit e tha: «Ja, kurrgjë s'jam! Si të të përgjigjem? Gojën me dorë do ta mbyll. Një herë fola e më nuk përgjigjem. Madje dy herë, por nuk do të vijoj». Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha: «Ngjishi ijët si burrë, se unë do të të pyes e ti do të më përgjigjesh. A do ta mohosh edhe drejtësinë time? A do të më fajësosh mua për të shfajësuar veten? Mos e ke krahun si Perëndia? A është si zëri i tij gjëmimi yt? Mbështillu, pra, me madhështi e krenari, me lavdi e nder vishu! Zbraze gufimin e zemërimit tënd, shikoji krenarët e poshtëroi, shikoji krenarët e përuli, shkeli të paudhët kudo të gjenden. Fshihi njëherësh në pluhur e në fshehtësi mbyllua fytyrën. Atëherë edhe unë do të dëshmoj se e djathta jote të shpëton. Shiko Behemotin, që e bëra si ti, ai ha bar si kau. Shiko sa të fuqishme i ka ijët e sa të forta muskujt e barkut. E ngre bishtin si cedër e kofshët i ka të endura me deje. Eshtrat e tij si gypa bronzi, brinjët e tij si shufra hekuri. Ai është vepra e parë e Perëndisë e vetëm krijuesi i tij mund t'i qaset me shpatë. Malet ia japin ushqimin e tërë egërsirat që në to lodrojnë. Nën lotus shtrihet në kallamishten e dendur e në moçal. Lotuset me hije e mbulojnë e shelgjet bri vaut e rrethojnë. Nuk trembet as kur lumi fryhet, është i sigurt edhe po t'i mbërrijë Jordani gjer në gojë. A e verbon dhe e kap dot? A ia zë njeri turinjtë në kurth? A mund ta zësh Leviatanin me grep e t'ia mbash gjuhën me tërkuzë? A mund t'ia lidhësh hundën me xunkth e t'ia shposh nofullën me kanxhë? Mos vallë do të të përgjërohet shumë e do të të flasë ëmbël? A do të lidhë besën me ty e ti do ta marrësh përgjithmonë si shërbëtor? A do të luash me të si me një zog, apo do ta lidhësh për vajzat e tua? A do ta nxjerrin në shitje ortakët e tregtarët do ta ndajnë mes tyre? A do t'ia mbushësh lëkurën me fuzhnja e kokën me grepa peshku? Vër dorë në të e mbaje mend luftimin, e më nuk do ta përsëritësh». «Ja, ti shpreson e zhgënjehesh, e shikon dhe rrëzohesh. Nuk ka trim që ta ngacmojë e kush mund t'i bëjë ballë? Kush e sulmoi dhe shpëtoi? Kush vallë nën qiellin mbarë? Nuk do ta mbuloj me heshtje forcën e ijëve të tija, as hijeshinë e shtatit të tij. Kush vallë ia zhveshi petkun? Kush hyri vallë ndër nofullat e tij? Kush mund t'ia hapë kanatet e gojës, se me tmerr i ka të rrethuar dhëmbët. E mbulojnë radhët madhështore të shqytit, e kyçin fort si me vulë. Aq puthiten me njëra-tjetrën, sa përmes tyre as era s'kalon. Kapen fort me njëra-tjetrën, ngjiten e më nuk shqiten. Teshtima e tij shpërthen si dritë e si qepallat e agimit i ka sytë. Nga goja i dalin flakërima, shkëndija zjarri i vërshojnë. Nga hundët tymi i del, si prej kazanit mbi zjarrin që i fryhet. Fryma e tij i përndez thëngjijtë e flaka prej gojës i del. Në qafë e ka forcën e përballë tij dridhet tmerri. Të ngjeshura i ka palët e mishit që është i ngurtë e nuk lëviz. Zemrën e ka të ngurtë si gurin, të ngurtë si gurin e poshtëm të mullirit. Kur ai ngrihet, të fortët frikësohen, kur ai përplaset, ata trullosen. Nëse e godet shpata, nuk i ngulet, as heshta, as shigjeta, as shtiza. Si kashtë është hekuri për të e bronzi si dru i kalbur. Nuk ikën fare as nga shigjeta e gurët e hobes i duken si byk. Si byk i duket edhe shkopi e qeshet me vringëllimën e shtizës. Nën bark ka tjegulla majëmprehta e në deltinë lesën e shtrin. E flluskos detin si kazan, si enë vajrash e bën. Nga pas lë një shteg vezullues e humnera duket thinjoshe. Nuk ka mbi tokë si ai, krijuar për të mos u trembur. Vrojton nga lart gjithçka, është mbret mbi tërë bishat krenare». Jobi iu përgjigj Zotit e i tha: «E di se gjithçka mundesh e asnjë shestim s'e ke të pamundur. Kush t'i mbulon synimet me padije? Prandaj fola pa kuptuar, se nuk i njoh mrekullitë. Por ti më dëgjo e unë do të flas. Unë do të të pyes e ti më mëso. Unë të njihja veç me të dëgjuar, por tani të panë sytë e mi, prandaj më vjen keq e pendohem në pluhur e hi». Pasi i tha Jobit këto fjalë, Zoti i foli Elifaz Temanitit: «Kundër teje është ndezur zemërimi im e kundër dy shokëve të tu, sepse nuk folët drejtë për mua, si shërbëtori im Jobi. Tani merrni shtatë buaj e shtatë desh e shkoni te shërbëtori im Jobi për t'i kushtuar si fli shkrumbimi për vete. Atëherë Jobi, shërbëtori im, do të lutet për ju dhe unë do t'ia dëgjoj lutjen e nuk do t'ju ndëshkoj për marrëzinë tuaj, sepse nuk folët drejtë për mua, si shërbëtori im Jobi». Atëherë Elifaz Temaniti, Bildad Shuhiti e Cofar Namatiti shkuan e bënë siç u tha Zoti dhe Zoti ia dëgjoi lutjen Jobit. Kur Jobi u lut për miqtë e vet, Zoti ia ktheu begatinë dyfish më shumë se përpara. Atëherë erdhën tek ai të gjithë vëllezërit e tij, të gjitha motrat e të gjithë ata që e kishin njohur më parë. Hëngrën bukë me të në shtëpinë e tij, e forcuan dhe e ngushëlluan për të gjithë pikëllimin që i kishte çuar Zoti. Pastaj secili i dhuroi nga një sasi parash e nga një unazë ari. Zoti e bekoi jetën e pastajme të Jobit më shumë se të mëparshmen. Ai mori në zotërim katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe e një mijë gomarica. Pati edhe shtatë djem e tri vajza. Të parën e quajti Jemima, të dytën Kezia e të tretën Kerenhapuka. Mbi mbarë dheun nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit dhe i ati ua la trashëgiminë atyre dhe vëllezërve të tyre. Pastaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe pa bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. Jobi vdiq i moshuar e i nginjur me ditë. Lum njeriu që nuk ndjek këshillën e të paudhëve dhe udhës së mëkatarëve nuk qëndron, që nuk rri me përqeshësit, por kënaqet me ligjin e Zotit dhe ditë e natë për atë ligj mendon. Ai është si pemë e mbjellë buzë rrjedhës së ujërave, që frytin e jep në stinën e vet e gjethja nuk i vyshket. Atij i shkon mbarë gjithçka bën. Por nuk ndodh kështu me të paudhët. Ata janë si byku që merr era. Të paudhët nuk do t'i bëjnë ballë gjykimit, as mëkatarët kuvendit të të drejtëve. Zoti e njeh mirë udhën e të drejtëve, ndërsa udha e të paudhëve do të marrë fund. Përse vlojnë kombet dhe popujt pëshpëritin kotësi? Mbretërit e tokës po ngrihen dhe prijësit po mblidhen bashkë kundër Zotit e kundër të vajosurit të tij. «T'i këputim vargonjtë e tyre, litarët e tyre t'i hedhim tej». Ai që rri në qiell qesh, Zoti tallet me ta. Atëherë, u flet me turfullimë, me zemërimin e vet i tmerron: «Mbretin tim e vura në Sion, në malin tim të shenjtë». Do të shpall vendimin e Zotit. Ai më tha: «Ti je biri im, sot të kam lindur. Kërkomë e do të t'i jap kombet si trashëgim, tokën mbarë, që ta kesh nën zotërim. Me skeptër hekuri do t'i thyesh, si enë poçari do t'i copëtosh». Prandaj, silluni me urti, o mbretër, vini mend, o gjyqtarë të tokës. Shërbejini Zotit me drojë, me dridhma gëzohuni; nderoni birin e tij, që Zoti të mos zemërohet e ju të mos birreni udhës, se zemërimi i tij është i shpejtë. Lum të gjithë ata që tek ai strehohen. Psalm i Davidit, kur u arratis prej Absalomit, të birit. O Zot, sa të shumtë janë kundërshtarët e mi! Sa janë shtuar ata që ngrihen kundër meje! Shumë thonë për mua: «Nuk ka shpëtim për të nga Perëndia». Por ti, o Zot, je mburoja ime, je ai që më jep nder e kokën lart ma ngre. I thërras Zotit me zërin tim e më përgjigjet nga mali i tij i shenjtë. Bie e fle e sërish zgjohem, sepse Zotin kam përkrah. Nuk kam frikë nga turma e njerëzve që më kanë rrethuar e janë kundër meje. Ngrihu, o Zot, shpëtomë, o Perëndia im, se ti ua thyen nofullat armiqve të mi e të paudhëve ua dërrmon dhëmbët. Shpëtimi vjen nga Zoti; bekimi yt qoftë mbi popullin tënd! Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Davidit. Kur të thërras, përgjigjmu, o Perëndi, drejtësia ime! Kur isha ngushtë, ti më lehtësove; ki mëshirë për mua e lutjen ma dëgjo. Deri kur do të ma shkelni nderin, o njerëz, ju që kotësi dëshironi e gënjeshtra kërkoni? Dijeni, Zoti zgjedh atë që i qëndron besnik, Zoti më dëgjon kur i thërras. Vloni nga zemërimi, por mos mëkatoni! Shqyrtoni zemrën, kur të flini, dhe heshtni! Kushtoni flijime drejtësie e kini besim te Zoti. Shumë thonë: «Kush do të na e tregojë të mirën? Ndriçoje mbi ne, o Zot, dritën e fytyrës sate». Shumë e gëzove zemrën time, më shumë se ata që marrin grurë e musht me shumicë. Në paqe do të shtrihem e do të fle, se vetëm ti, o Zot, më strehon në vend të sigurt. Mjeshtrit të korit. Për fyell. Psalm i Davidit. Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia, përfille rënkimin tim. Thirrjes sime për ndihmë vëri vesh, o mbreti im e Perëndia im, se ty ta drejtoj lutjen time. Në mëngjes, o Zot, ti e dëgjon zërin tim, në mëngjes, kur përgatitem për ty e pres. Ti nuk je Perëndi që i pëlqen e keqja, pranë teje nuk ka vend ligësia, as krenarët nuk të dalin dot para. Ti i urren të gjithë ata që bëjnë paudhësi, ata që thonë gënjeshtra i shkatërron dhe gjakatarët e mashtruesit të neveriten. Por unë do të hyj në shtëpinë tënde falë mirësisë sate të madhe e do të përkulem me nderim në tempullin tënd të shenjtë. Udhëhiqmë, o Zot, me drejtësinë tënde, meqë kam armiq, rrafshoje para meje udhën tënde. Në gojën e tyre nuk ka asgjë të vërtetë, përbrenda janë të rrënuar, grykën e kanë si varr të hapur, e me gjuhë thurin lajka. Ndëshkoji, o Perëndi, nga qëllimet e tyre u shkatërrofshin, dëboji për paudhësitë e tyre të shumta, se kanë ngritur krye kundër teje. Por, ata që kërkojnë strehë te ti le të gëzojnë e përherë të brohorasin. Paçin mbrojtjen tënde e u ngazëllefshin për ty ata që duan emrin tënd. Se ti, o Zot, e bekon të drejtin dhe e mbështjell me mirëdashjen tënde si me mburojë. Mjeshtrit të korit. Për vegla me tetë korda. Psalm i Davidit. Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd, mos më ndëshko me mërinë tënde. Ki mëshirë për mua, o Zot, se po tretem, shëromë, se po më dridhen kockat. Shpirtin ma ka zënë tmerri, po deri kur, o Zot? Kthehu, o Zot, e çliroje shpirtin tim, shpëtomë për hir të mirësisë sate, se ndër të vdekurit s'ka kush të kujton, e në skëterrë s'ka kush të falënderon. U lodha së rënkuari, e njom përnatë shtratin tim, me lot e lag shtrojën time. M'u fikën sytë nga brenga, m'u dobësuan prej të gjithë armiqve të mi. Largohuni nga unë ju që bëni paudhësi, se Zoti e dëgjon ngashërimin tim. Zoti e dëgjoi përgjërimin tim dhe lutjen time do ta pranojë. U turpërofshin e u tmerrofshin të gjithë armiqtë e mi, e menjëherë u kthefshin pas të çnderuar. Ankimi që Davidi i këndoi Zotit për fjalët e Kushit nga fisi i Benjaminit. O Zot, Perëndia im, te ti kërkoj strehë, shpëtomë e çliromë prej të gjithë përndjekësve të mi. Në mos, si luani do të ma shqyejnë shpirtin e do të më copëtojnë pa më ardhur kush në ndihmë. O Zot, Perëndia im, po të kem bërë gjë e po të kem bërë padrejtësi me duart e mia, nëse ia kam kthyer me të keqe dashamirësit tim apo e kam plaçkitur armikun pa shkak, më ndjektë armiku e më kaptë, jetën time e nëpërkëmbtë e nderin pluhur ma bëftë. Çohu, o Zot, me zemërim, ngrihu mbi tërbimin e armiqve të mi, qëndro krah meje, ti që ke vendosur drejtësi. Le të të rrethojnë kombet, por ti sundoji nga vendi yt i lartë. O Zot që gjykon popujt, gjykomë ti, o Zot, se jam i drejtë e pa faj. Ligësia e të paudhëve marrtë fund, por të drejtin forcoje, o Perëndi i drejtë, ti që shqyrton mendjet e zemrat. Mburoja ime është Perëndia, ai i shpëton zemërdrejtët. Perëndia është gjykatës i drejtë, Perëndia është përherë i rreptë. Nëse dikush nuk pendohet, Perëndia e mpreh shpatën, e nden harkun dhe e mban gati. I ka bërë gati armët e vdekjes dhe i ka ndezur shigjetat. Ja, i ligu ngjiz paudhësi, mbart ligësi e pjell mashtrim. Hapi një gropë, gërmoi thellë, por në gropën që bëri ra brenda vetë. Ligësia që bëri do t'i kthehet kokës e dhuna e vet do t'i bjerë ballit. Unë do të falënderoj Zotin për drejtësinë e tij e do t'i këndoj himne emrit të Zotit, të Tejlartit. Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i Davidit. O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt mbi tokën mbarë! Mbi qiej e shpalos madhështinë tënde. Me gojën e fëmijëve dhe të foshnjave tregove fuqinë kundër armiqve të tu, që t'i bësh të heshtin armiq e kundërshtarë. Kur vështroj qiellin, veprën e duarve të tua, hënën e yjet që ti krijove, ç'është njeriu që të kujtohesh për të, apo biri i njeriut që të kujdesesh për të? Pak më pak se Perëndi e bëre, e kurorëzove me nder e me lavdi. I dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua, gjithçka ia nënshtrove nën këmbë: mbarë dhentë, gjedhët dhe egërsirat e fushës, zogjtë e qiellit, peshqit e detit, gjithçka që shtigjet e deteve përshkon. O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt mbi tokën mbarë! Mjeshtrit të korit, për zëra të lartë. Psalm i Davidit. Të përlëvdoj me gjithë zemër, o Zot, dhe tërë veprat e tua të mrekullueshme rrëfej. Me ty gëzohem e ngazëllohem dhe emrit tënd i këndoj, o i Tejlartë! Kur tërhiqen pas, armiqtë e mi pengohen e zhduken nga prania jote. Se ti i dhe të drejtë çështjes sime, i ulur në fron si gjykatës i drejtë. Kombet i qortove, të paudhët i shkatërrove dhe emrin e tyre përgjithmonë e fshive. Armiqtë morën fund, u rrënuan përjetë; qyteteve u vure plojën, askush nuk i kujton. Por Zoti qëndron përjetë, e ka gatitur fronin për gjykim. Botën do ta gjykojë me drejtësi e popujt me paanësi. Zoti është strehë për të shtypurit, strehë në kohë të vështira. Ata që e njohin emrin tënd kanë besim te ti, se ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë. Këndojini Zotit që banon në Sion, shpalluni popujve veprat e tij. Se ai që ndëshkon gjakatarët u kujtua dhe klithmën e skamnorëve nuk e harroi. Mëshiromë, o Zot, që prej portave të vdekjes më shpëton. Shiko si më poshtëruan ata që më urrejnë, që tërë lavditë e tua të shpall dhe te portat e Sionit të ngazëllej për shpëtimin tënd. Kombet ranë në gropën që hapën vetë, laku që vetë e vunë ua zuri këmbën. Zoti e dëfteu veten dhe bëri drejtësi, e zuri të paudhin në grackën që vetë kishte ngritur. Në skëterrë rënçin të paudhët, mbarë ato kombe që harrojnë Perëndinë. Se nevojtari nuk do të harrohet kurrë, dhe shpresa e fatkeqëve nuk do të humbë asnjëherë. Ngrihu, o Zot, që të mos dalë më i fortë njeriu, që kombet të gjykohen prej teje. Tmerroji, o Zot! Kombet ta dinë mirë se janë vetëm njerëz. Përse rri larg, o Zot? Pse fshihesh në kohë të vështira? I paudhi shfrytëzon me mburrje skamnorin; rënçin në kurthet që ngritën vetë. Me dëshirat e veta mburret i paudhi, ndërsa lakmitari shan e mallkon Zotin. I paudhi e mban hundën përpjetë e nuk kërkon, mendon se nuk ka Perëndi. Punët i venë gjithnjë mbarë, gjykimet e tua janë larg prej tij dhe kundërshtarët i fshin me një frymë. Thotë me vete: «Nuk do të trandem, kurrë nuk do më gjejë e keqja». Goja e tij është plot mallkime, mashtrime e dhunë, nën gjuhë ka ligësi e poshtërsi. Zë pritë nëpër fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta e me sy përgjon fatkeqin. Fshihet e pret si luani në strofull, pret për të rrëmbyer skamnorin, e rrëmben dhe e zvarrit në rrjetën e tij. Struket e mblidhet kruspull dhe para forcës së tij fatkeqët bien. I paudhi thotë me vete: «Perëndia harron, është fshehur e nuk sheh gjë». Ngrihu, o Zot, ngrije dorën, o Perëndi, e mos i harro skamnorët. Pse i paudhi e përçmon Perëndinë e thotë me vete: «Ti nuk do të më shqyrtosh?». Por ti ke parë, se ti e sheh ligësinë dhe brengën, ti i peshon me dorën tënde. Te ti mbështetet fatkeqi, ti je ndihmësi i jetimit. Thyeja krahun të paudhit e të ligut, hetoje për paudhësinë gjer në fund. Zoti mbretëron përjetë, por kombet zhduken nga toka e tij. Dëshirën e të përulurve ti e dëgjon, o Zot, ua forcon zemrën e bën kujdes, që t'i japësh të drejtë jetimit e të shtypurit, që njeriu i dheshëm të mos tmerrojë më askënd. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Te Zoti kam gjetur strehë, si mund të më thoni: «Ik maleve si zogu?». Ja, të paudhët e ngrehin harkun, mbi kordhë vënë shigjetën, që nëpër errësirë të gjuajnë mbi ata që janë zemërdrejtë. Po të shemben themelet, i drejti ç'mund të bëjë? Zoti është në tempullin e tij të shenjtë, Zoti e ka fronin në qiell, sytë e tij vëzhgojnë, qepallat e tij rrinë hapur mbi bijtë e njerëzve. Zoti vë në provë të drejtin e të paudhin, e urren atë që dëshiron dhunën. Mbi të paudhët do të lëshojë fatkeqësi, zjarr e squfur, në kupë do të kenë për hise erë përvëluese. Se Zoti është i drejtë, ai e do drejtësinë. I drejti do ta shohë fytyrën e tij. Mjeshtrit të korit, për tetë korda. Psalm i Davidit. Shpëtomë, o Zot, se po zhduket i drejti, s'ka më besnikë ndër bijtë e njerëzve. Njerëzit gënjejnë njëri-tjetrin, lajkatojnë me buzë, por dyshojnë në zemër. Zoti preftë çdo buzë lajkatare e çdo gjuhë që flet fjalë të mëdha. Sepse ata thonë: «Jemi të fortë nga goja. Me buzët që kemi, kush mund të na sundojë?». «Por tani do të ngrihem», thotë Zoti, «se të varfrit po shtypen, skamnorët po rënkojnë. Do t'i shpëtoj nga ai që i bën të gulçojnë ». Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, argjend i shkrirë në furrë dheu, argjend i pastruar shtatë herë. Ti, o Zot, e mban fjalën dhe do t'i shpëtosh nga kjo brezni përherë. Të paudhët bredhin anekënd, sikurse shtohet edhe ndyrësia e njerëzve. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Deri kur do të më harrosh, o Zot? Deri kur do ta fshehësh fytyrën prej meje? Deri kur do të kem ankth në shpirt e brengë në zemër gjithë ditën? Deri kur armiku do të ngadhënjejë mbi mua? Shikomë e përgjigjmu, o Zot, Perëndia im! Jepu dritë syve të mi, që të mos më zërë gjumi i vdekjes, që armiku të mos thotë: «Ngadhënjeva mbi të!» që kundërshtarët të mos gëzojnë po të më merren këmbët. Por unë kam besim në mirësinë tënde, zemra ime u gëzoftë për shpëtimin tënd. Do t'i këndoj Zotit për të mirat që më dha. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Thotë i marri në zemrën e tij: «S'ka Perëndi». Të gjithë janë shthurur e bëjnë vepra të neveritshme, askush nuk bën të mirën. Prej qiellit Zoti i vështron njerëzit, për të parë në ka ndonjë të mençur që kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha, të gjithë janë shthurur, askush nuk bën të mirën, as edhe një. A nuk janë të pamend të paudhët, që e gëlltisin popullin tim si bukën dhe Zotin nuk e thërrasin? Por ja, do të dridhen nga tmerri, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë. Ju doni të shkatërroni shpresat e skamnorit, por streha e tij është Zoti. Kush do ta sjellë prej Sionit shpëtimin e Izraelit? Kur Zoti ta kthejë popullin e vet nga robëria, do të gëzojë Jakobi, do të ngazëllejë Izraeli. Psalm i Davidit. Kush mund të rrijë në tendën tënde, o Zot? Kush mund të banojë në malin tënd të shenjtë? Ai që bën jetë të përsosur, që vepron me drejtësi e thotë të vërtetën me gjithë zemër, ai që nuk trillon me gjuhë, që nuk i bën keq shokut të vet e tjetrin nuk e njollos, ai që njeriun e lig e përbuz, por që i çmon ata që druajnë Zotin; ai që jep fjalën dhe e mban, edhe kur është në dëm të tij, ai që nuk jep para me kamatë e nuk merr mitë kundër të pafajshmit. Kush bën këto gjëra nuk do të trandet kurrë. Himn i Davidit. Ruajmë, o Perëndi, se te ti kërkova strehë. I thashë Zotit: «Ti je Zoti im, veç teje nuk kam të mirë tjetër». Me të shenjtët e kësaj toke dhe me të madhërishmit, kënaqet shpirti im. Por atyre që shkojnë pas perëndish të tjera iu shtofshin mundimet. Flijimet e tyre të stërpikura me gjak nuk do t'i kushtoj dhe buzët e mia emrat e tyre nuk do t'i shqiptojnë. O Zot, trashëgimia ime dhe kupa ime, fati im është në dorën tënde. Më ranë për pjesë toka të mira, e mrekullueshme është trashëgimia ime. Do ta bekoj Zotin që më këshillon; edhe natën zemra më mëson. Zotin e mbaj gjithnjë para sysh, ai është në të djathtën time, nuk do të tronditem kurrë. Ndaj gëzohet zemra ime, qenia ime ngazëllen e trupi im pushon i qetë. Shpirtin tim nuk do ta lësh në skëterrë, dhe besnikët e tu nuk do t'i lësh të shkojnë në gropë. Udhën e jetës do të ma bësh të njohur; prania jote është plot gëzim. Të jesh në të djathtën tënde është kënaqësi përjetë. Lutje e Davidit. Dëgjo, o Zot, çështjen e drejtë! Vëri re klithmës sime, dëgjoje lutjen time, që nuk del nga buzë dredharake. Prej teje gjetsha drejtësi, sytë e tu dallofshin të drejtën. Shqyrtoje zemrën time natën, vëmë në provë, por gjë s'do të gjesh. Kam menduar gjëra në mendjen time, por goja ime nuk ka nxjerrë ligësi. Sa për veprat e njerëzve, përmes fjalëve të buzëve të tua e kam ruajtur veten nga udhët e dhunës. Hapat e mi kanë qëndruar në shtigjet e tua, këmbët e mia nuk janë dridhur. Ty po të thërras, përgjigjmu, o Perëndi! Ktheje veshin nga unë e dëgjoji fjalët e mia! Tregomë mirësinë tënde madhështore, ti që prej kundërshtarëve shpëton ata që tek e djathta jote shpresojnë. Ruajmë si beben e syrit, mbulomë nën hijen e krahëve të tu, larg të paudhëve që më përndjekin, armiqve gjakatarë që më kanë rrethuar. Janë trashur nga dhjami, goja e tyre flet tërë mburrje. Më gjurmuan e më kanë rrethuar, m'i kanë ngulur sytë për të më hedhur përtokë. Janë si luani, të etur për të gjuajtur, si këlyshi i luanit, që fshihet e zë pusi. Ngrihu, o Zot, dili përpara, mposhte, shpëtoma jetën prej të paudhit me shpatën tënde. Shpëtomë prej vdekatarëve, me dorën tënde, o Zot, prej vdekatarëve të kësaj bote. Mbushua barkun me çfarë ke ruajtur për ta, që bijtë e tyre të ngopen e t'u lënë me tepri fëmijëve të tyre. E unë, falë drejtësisë sate, do të shoh fytyrën tënde, do të zgjohem e do të kënaqem me praninë tënde. Mjeshtrit të korit. Himn që Davidi, shërbëtori i Zotit, i drejtoi Zotit ditën që Zoti e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit. Davidi tha këto fjalë: Të dua, o Zot, fuqia ime. Zoti është shkëmbi im, fortesa ime dhe çliruesi im, është Perëndia im, është shkrepi ku gjej strehë. Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, ai është kështjella ime. Lavdi pastë Zoti! I thirra e nga armiqtë shpëtova. Litarët e vdekjes më mbërthyen, përrenj shkatërrimi më tmerruan. Leqet e skëterrës më rrethuan, më zunë pritë grackat e vdekjes. Kur u gjenda ngushtë, i thirra Zotit, i klitha për ndihmë Perëndisë tim. Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim, klithma ime arriti te veshët e tij. Ndaj toka u drodh e u trand, themelet e maleve u shkundën e luajtën vendit, prej zjarrit të zemërimit të tij. Tym doli nga flegrat e hundës së tij e nga goja e tij zjarr shkrumbues. Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan. Qiejt i uli dhe zbriti poshtë, me një re të errët nën këmbë. Hipur mbi një kerub fluturoi, flatroi mbi krahët e erës. Errësirën e hodhi rreth vetes si rrobë, tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta. Prej shkëlqimit të tij dilnin re, breshër e prush i zjarrtë. Zoti bëri të gjëmojnë qiejt, i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri, breshër e thëngjij zjarri. Shigjetat e tij dërgoi e i shpërndau, me rrufe i gjuajti e i shpartalloi. Burimet e ujërave u dukën, themelet e tokës u zbuluan, prej qortimit tënd, o Zot, prej shfryrjes së flegrave të tua. Dorën shtriu nga lart e më kapi, më nxori prej ujërave të shumtë. Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm, nga ata që më urrenin, që ishin më të fortë se unë. M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti u bë përkrahësi im. Më nxori në vend të hapur, më shpëtoi se më kishte për zemër. Kështu bëri Zoti me mua, se jam i drejtë, kështu më shpërbleu, se të pastra duart i kam. Udhët e Zotit kam ndjekur e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi. Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh, nga rregullat e tij nuk shmangem. Kam qenë i ndershëm me të dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur. Zoti më shpërbleu, se jam i drejtë, se e pa që duart i kam të pastra. Njeriut besnik ti i qëndron besnik, me të ndershmin i ndershëm tregohesh. Me njeriun e pastër tregohesh i pastër, por me të mbrapshtin tregohesh dinak. Popullin e përvuajtur e shpëton, por sytë e krenarëve i ul poshtë. O Zot, ti i jep dritë llambës sime, Perëndia im ma ndriçon errësirën. Me ty do t'i sulmoj çetat plaçkitëse, me Perëndinë tim do t'i kapërcej muret. Udha e Perëndisë është e përsosur, fjala e Zotit e sprovuar në zjarr, ai është mburojë i të gjithë atyre që kërkojnë strehë tek ai. Kush tjetër është Perëndi veç Zotit? Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë? Perëndia që më dha forcë e ma bëri udhën të përsosur. Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit, në vende të larta më vuri të qëndroj. Duart m'i mësoi për betejë, që krahët e mi të ndejnë hark bronzi. Më dhe mburojën e shpëtimit tënd, e djathta jote m'u bë krah, mirësia jote më madhëroi. E shtrove udhën para hapave të mi e këmbët nuk më rrëshqitën. I ndoqa pas armiqtë e i zura, nuk do të kthehem pa i shkatërruar. I qëllova e më nuk ngrihen, ranë para këmbëve të mia. Më dhe forcë për të luftuar e ata që m'u ngritën kundër nën këmbë m'i përkule. I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin, ata që më urrenin i zhbiva. Klithën me të madhe, por s'kishte kush t'i shpëtonte, i thirrën edhe Zotit, por nuk iu përgjigj. I thërrmova si pluhurin që e merr era, i flaka jashtë si baltën e rrugës. Më çlirove nga grindjet e popullit, në krye të kombeve më vure, një popull që nuk më njihte më shërbeu. Me të dëgjuar për mua u bindën, bijtë e të huajve u përkulën para meje. U zbehën, u drodhën, e nga fortesat e tyre dolën. Zoti është i gjallë! Bekuar qoftë shkëmbi im! Perëndia i shpëtimit tim u madhëroftë! Ai merr shpagim për mua, popujt nën këmbë m'i nënshtron dhe nga armiqtë e mi më çliron. Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi, prej njeriut të dhunshëm më shpëton. Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o Zot, dhe emrin tënd përhimnoj. Zoti ia shton fitoret mbretit të tij, tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet, Davidit e gjithë pasardhësve të tij. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, kubeja qiellore kumton veprën e duarve të tij. Dita i çon fjalë ditës, nata i bën me dije natës. Nuk bëzajnë, nuk nxjerrin fjalë, as që u dëgjohet zëri. Por, jehona e tyre përhapet në tërë dheun dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës. Atje i ka bërë një tendë diellit, ai është si dhëndri kur del prej dhomës, si trimi që ngazëllon kur merr hov. Lind në njërin skaj të qiellit e deri në tjetrin rrotullohet, nxehtësisë së tij s'i fshihet askush. I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti. Porositë e Zotit janë të drejta, zemrën e gëzojnë, urdhërimet e Zotit janë të pastra, syve u japin dritë. E pastër është droja e Zotit, mbetet në amshim, të vërteta janë gjykimet e Zotit, të gjitha të drejta. Më të dëshirueshme janë se ari, se ari i kulluar mirë, më të ëmbla se mjalti, se mjalti që rrjedh nga hojet. Prej tyre mëson edhe shërbëtori yt, kush i zbaton merr shpërblim të madh. Kush mund t'i kuptojë fajet? Prej fajeve të fshehta pastromë. Ruaje shërbëtorin tënd edhe nga mëkatet me dashje, që të mos sundojnë mbi mua. Atëherë do të jem i patëmetë, i pastruar krejt prej mëkatit të rëndë. Të pëlqefshin fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, shkëmbi e shpëtimtari im. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Të dëgjoftë Zoti ditën e fatkeqësisë, emri i Perëndisë së Jakobit të mbrojttë! Të dërgoftë ndihmë prej shenjtërores e prej Sionit përkrahje të dhëntë! Iu kujtofshin gjithë dhuratat e tua, flija jote e shkrumbimit i pëlqeftë! Të dhëntë çka të do zemra, gjithë synimet e tua i plotësoftë. Do të brohorasim për fitoren tënde dhe në emrin e Perëndisë tonë flamujt lart do t'i ngremë. Zoti t'i plotësoftë të gjitha kërkesat! Tani e di se Zoti e shpëton të vajosurin e tij, prej qiellit të tij të shenjtë e ndihmon me fuqinë shpëtimtare të së djathtës së tij. Disa kanë shpresë te qerret, të tjerë te kuajt, por ne thërrasim emrin e Zotit, Perëndisë tonë. Ata u këputën e ranë, por ne u ngritëm e qëndruam. O Zot, shpëtoje mbretin. Na dëgjoftë mbreti kur ta thërrasim. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. O Zot, me fuqinë tënde gëzon mbreti, sa shumë ngazëllen për shpëtimin tënd. Dëshirën e zemrës ia plotësove, lutjen e buzëve të tij nuk e përbuze. Me bekime mirësie e prite, mbi kokë i vure kurorë ari të kulluar. Të kërkoi jetë e ia dhe, ditë të shumta në amshim. E madhe është lavdia e tij falë shpëtimit tënd, me shkëlqim e madhështi e stolise atë. Ti i jep bekime përjetë, e mbush me gëzimin e pranisë sate. Se mbreti ka besim te Zoti dhe falë mirësisë së të Tejlartit nuk do të lëkundet. Dora jote do t'i kapë tërë armiqtë e tu, e djathta jote do t'i zërë ata që të urrejnë. Do t'i hedhësh në furrën e zjarrit kur të shfaqesh, Zoti do t'i përpijë tërë zemërim e zjarri do t'i përlajë. Farën e tyre do ta zhbish nga dheu, pasardhësit e tyre nga njerëzit. Kanë kurdisur ligësi kundër teje, sajuan plane, por s'do t'ia dalin. Do t'i bësh të kthehen pas, harkun do ta drejtosh kundër tyre. Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, do t'i këndojmë e do t'i thurim himne pushtetit tënd. Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Drenusha e agimit». Psalm i Davidit. Perëndi, Perëndia im, përse më braktise? Pse rri larg pa më ndihmuar e fjalët e rënkimit tim nuk i dëgjon? O Perëndia im, të thërras ditën, por nuk më përgjigjesh, edhe natën e prehje nuk gjej. Ti, pra, je i Shenjti, ai që përlëvdon Izraeli. Te ti shpresuan etërit tanë, te ti shpresuan e i çlirove. Ty të thirrën e shpëtuan, te ti shpresuan e nuk u turpëruan. Krimb e jo njeri jam unë, turp për njerëzit, tallje për popullin. Më shohin e tallen me mua, shtrembërojnë buzët e kokat tundin. «T'i drejtohet Zotit », thonë, «le ta çlirojë, ta shpëtojë, meqë e dashka». Ti më nxore nga barku amënor, shpresa ime ti ishe që në gji të nënës sime. Ty t'u dorëzova sapo linda, që në bark të nënës Perëndia im je ti. Mos u largo prej meje! Po afron pikëllimi e nuk ka kush të më ndihmojë. Më kanë rrethuar dema të shumtë, buajt e Bashanit më kanë vënë në mes. Kanë hapur gojën kundër meje, si luani që shqyen e ulërin. Jam derdhur si uji, eshtrat më janë shpërbërë krejt, zemra më është shkrirë si dylli, më është tretur brenda kraharorit. Fuqia më është tharë si tjegulla e gjuha më është ngjitur për qiellze, më ke hedhur në pluhurin e vdekjes. Më kanë rrethuar qentë e lukuni keqbërësish më kanë vënë në mes, duart e këmbët m'i kanë shpuar. Të gjitha kockat më numërohen, m'i kanë ngulur sytë e më vështrojnë. I ndanë rrobat e mia mes tyre e për petkun tim hodhën short. Por ti, o Zot, mos më rri larg, o fuqia ime, shpejto e më ndihmo. Shpëtoma jetën prej shpatës, prej putrave të qenit të vetmen jetë që kam. Shpëtomë prej gojës së luanit, prej brirëve të buajve të egër. E, pra, ti më je përgjigjur! Do t'ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të bashkësisë do të të përlëvdoj. O ju që e druani Zotin, lavdërojeni, të gjithë ju pasardhës të Jakobit nderojeni, të gjithë ju pasardhës të Izraelit kini frikë prej tij. Mjerimin e skamnorit nuk e përbuzi dhe nuk e shpërfilli, fytyrën prej tij nuk e fshehu, por kërkesën e tij për ndihmë e dëgjoi. Prej teje vjen lavdi im në bashkësinë e madhe, para atyre që të druajnë do t'i përmbush zotimet e mia. Skamnorët do të hanë e do të ngihen, ata që e kërkojnë Zotin do ta përlëvdojnë. Zemra e tyre rroftë në amshim! Do të kujtohen e te Zoti do të kthehen mbarë skajet e tokës, para tij do të përkulen tërë familjet e popujve. Se Zotit i përket mbretërimi, ai është sundimtari i kombeve. Para tij do të përkulen të gjithë fisnikët e dheut e do të ngihen, para tij do të bien në gjunjë të gjithë të dheshmit, shpirti i të cilëve nuk do të jetojë. Pasardhësit do t'i shërbejnë atij, brezit të ardhshëm do t'i flitet për Zotin. Do të vijnë e do t'i dëftojnë drejtësinë e tij një populli që po lind, se kjo është vepra e tij. Psalm i Davidit. Zoti është bariu im, asgjë s'më mungon. Në kullota të gjelbra më shtrin, drejt ujërave të qeta më prin, shpirtin ma përtërin. Më udhëheq shtigjeve të drejta, në saje të emrit të tij. Edhe në ecsha nëpër luginën e territ, s'tutem nga e keqja, se ti je me mua. Shkopi yt e kërraba jote, ato më ngushëllojnë. Para ma shtron tryezën, kundruall armiqve të mi; kokën ma lyen me vaj, kupa ime gufon. Po, mirësia e çiltërsia do të më ndjekin të gjitha ditët e jetës sime. E unë do të banoj përgjithmonë në shtëpinë e Zotit. Psalm i Davidit. E Zotit është toka dhe gjithçka gjendet në të, bota me gjithë banorët e saj. Themelet e saj mbi dete i vuri, mbi lumenj e ngriti. Kush do të ngjitet në malin e Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Ai që ka duar të pafajshme e zemër të pastër, që nuk jepet me shpirt pas kotësive e nuk bën betim të rremë. Ai do të marrë bekim prej Zotit, drejtësi prej Perëndisë, shpëtimtarit të tij. E tillë është breznia e atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën e Perëndisë së Jakobit. Ngrijini, o porta, ballinat tuaja! Lartësohuni, o dyer të amshuara, që të hyjë mbreti i Lavdisë! Kush është ky mbreti i Lavdisë? Është Zoti i fortë e i fuqishëm, është Zoti i fuqishëm në betejë! Ngrijini, o porta, ballinat tuaja! Lartësohuni, o dyer të amshuara, që të hyjë mbreti i Lavdisë! Kush është ky mbreti i Lavdisë? Zoti i ushtrive, ai është mbreti i Lavdisë! Psalm i Davidit. Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim, te ti kam besim, o Perëndia im. Mos lejo të turpërohem, armiqtë e mi mos ngazëllefshin mbi mua. Mos u turpërofshin gjithë sa shpresojnë te ti, por turpi mbuloftë ata që më kot bëjnë paudhësi. O Zot, dëftemë udhët e tua, shtigjet e tua m'i mëso. Udhëhiqmë në të vërtetën tënde e më mëso, se ti je Perëndia i shpëtimit tim, te ti shpresoj tërë ditën. Kujto, o Zot, përdëllimet e tua dhe mirësitë e tua, se janë prej amshimit. Mëkatet e rinisë sime mos i kujto, e as shkeljet e mia, por kujtomë me dashamirësi, për hir të mirësisë sate, o Zot. I mirë e i drejtë është Zoti, prandaj u tregon udhën mëkatarëve. Të përulurve u prin në drejtësi, të përulurve ua mëson udhët e tij. Tërë udhët e Zotit janë mirësi e besnikëri për ata që ruajnë besëlidhjen dhe dëshmitë e tij. Për hir të emrit tënd, o Zot, fale fajin tim, se i rëndë është. Kush është njeriu që druan Zotin? Atij do t'i mësojë cilën udhë të zgjedhë. Shpirti i tij do të jetojë mes të mirash, pasardhësit e tij do të trashëgojnë dheun. Zoti i këshillon ata që e druajnë, ua bën të ditur besëlidhjen e tij. Sytë i kam përherë drejt Zotit, ai do të m'i çlirojë këmbët prej lakut. Kthehu nga unë e mëshiromë, se i vetmuar jam e i mjerë. Hidhërimet e zemrës më janë shtuar, nga fatkeqësitë e mia çliromë. Shih vuajtjen dhe mundimin tim e m'i fal të gjitha mëkatet. Këqyri armiqtë e mi! Sa shumë janë shtuar, plot tërbim e mëri më urrejnë. Ruaje shpirtin tim e më shpëto, mos u turpërofsha, se te ti kërkova strehë. Ndershmëria e drejtësia më mbrojtshin, se te ti e kam varur shpresën. Çliroje Izraelin, o Perëndi, prej të gjitha pikëllimeve. Psalm i Davidit. Jepmë të drejtë, o Zot, se jetoj me ndershmëri. Në Zotin kam besim e s'kam për t'u lëkundur. Hetomë, o Zot, e provomë, mendjen dhe zemrën m'i shqyrto. Mirësinë tënde e kam parasysh, në besnikërinë tënde jetoj. Nuk kuvendoj me njerëz të pavërtetë, me shtiracakë nuk bëj shoqëri. Tubimet e të këqijve i urrej, me të paudhët nuk ulem. Duart i laj në pafajësi e rreth altarit tënd sillem, o Zot, që të shpall me zë të lartë lavdinë tënde, e të kumtoj të gjitha mrekullitë e tua. O Zot, e dua tempullin ku banon ti dhe vendin ku prehet lavdia jote. Mos e hidh tej shpirtin tim me të paudhët e as jetën time me gjakatarët. Me duar bëjnë paudhësi, të djathtën e mbushin me mita. Por unë jetoj me ndershmëri, shpengomë e mëshiromë. Këmba ime shkel në udhë të drejtë, mes bashkësisë do ta bekoj Zotin. Psalm i Davidit. Zoti është drita dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë? Zoti është streha e jetës sime, nga kush do të trembem? Kur m'u vërsulën keqbërësit për të më ngrënë të gjallë, armiqtë dhe kundërshtarët e mi, ata vetë u penguan e ranë. Edhe një ushtri po të ngrihet kundër meje, nuk trembet zemra ime, edhe lufta po të plasë kundër meje, prapë do të kem shpresë. Veç një gjë i kam kërkuar Zotit e për këtë i lutem: të banoj në shtëpinë e Zotit gjithë ditët e jetës sime, të sodit bukurinë e Zotit e tempullin e tij të kundroj. Në ditë të ligë në strehën e tij më fsheh, në fshehtësinë e tendës së tij më struk. Më ngre lart mbi një shkëmb, e tani, koka ime lartësohet mbi armiqtë që më rrethojnë. Tërë brohori në tendën e tij fli do të kushtoj, do të këndoj e himne Zotit do t'i thur. O Zot, dëgjomë kur të thërras, ki mëshirë për mua e m'u përgjigj. Për ty foli zemra ime e tha: «Kërkoni fytyrën time». Fytyrën tënde, o Zot, kërkoj. Mos e fshih fytyrën tënde prej meje, mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd, ti që ke qenë ndihma ime. Mos më lër e mos më braktis, o Perëndi i shpëtimit tim. Im atë e nëna ime më braktisën, por Zoti më pranoi. Mësomë, o Zot, udhën tënde, në shteg të drejtë më udhëhiq, për shkak të armiqve të mi. Mos më lër në mëshirë të armiqve të mi, se më kanë dalë kundër dëshmitarë të rremë, njerëz që shfryjnë dhunë. Jam i bindur se do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve. Shpreso në Zotin. Bëhu i fortë e merr zemër. Zotin prit. Psalm i Davidit. Ty të thërras, o Zot, shkëmbi im, mos hesht ndaj meje. Po heshte ndaj meje, do të bëhem si ata që zbresin në gropë. Dëgjoje zërin e përgjërimit tim, kur të thërras për ndihmë, kur duart i ngre drejt shenjtërores sate të shenjtë. Mos më hiq zvarrë edhe mua si të paudhët, si ata që të keqen bëjnë, që për paqe flasin me të afërtit, por në zemër bluajnë ligësi. Shpërbleji sipas veprave të tyre, sipas veprimeve të tyre të liga. Shpërbleji sipas veprave të duarve të tyre, jepu shpagimin që meritojnë, se i shpërfillin veprat e Zotit dhe punët e duarve të tij. Ai i rrënoftë e më mos i ngrittë! Bekuar qoftë Zoti, se e dëgjoi zërin e përgjërimit tim! Zoti është fuqia dhe mburoja ime, në të shpreson zemra ime, tek ai gjeta ndihmë. Ndaj ngazëllen zemra ime, me këngë e falënderoj. Zoti është fuqia e popullit të tij, strehë shpëtimi për të vajosurin e vet. Shpëtoje popullin tënd, bekoje trashëgimin tënd! Ji bariu i tyre e lartësoji deri në amshim! Psalm i Davidit. Jepini Zotit, o qenie hyjnore, jepini Zotit lavdinë dhe forcën. Jepini Zotit lavdinë e emrit të tij, përkuluni para Zotit, mes shkëlqimit të tij të shenjtë. Zëri i Zotit ushton mbi ujërat, Perëndia i lavdishëm bën të gjëmojë, Zoti mbi ujërat e shumta. Zëri i Zotit ushton plot fuqi, zëri i Zotit ushton plot madhështi. Zëri i Zotit copëton cedrat, Zoti thërrmon cedrat e Libanit. Libanin e bën të kërcejë si viçi, Sirionin si kotorri. Zëri i Zotit lëshon flakë zjarri, zëri i Zotit trondit shkretëtirën, shkretëtirën e Kadeshit Zoti e trondit. Zëri i Zotit i bën drenushat të pjellin, pyjet i lë zhveshur. Në tempullin e tij, të gjithë thonë: «Lavdi!». Zoti sundon mbi përmbytjen, Zoti sundon si mbret në amshim. Zoti i jep forcë popullit të tij, Zoti e bekon popullin e tij me paqe. Psalm i Davidit. Këngë për kushtimin e tempullit. Të madhëroj, o Zot, se lart më ngrite, armiqtë e mi nuk i le të ngazëllejnë mbi mua. O Zot, Perëndia im, ty të thirra e ti më shërove. Ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga skëterra, ti më mbajte në jetë, që në varr të mos zbrisja. Këndojini Zotit, ju besnikët e tij, përlëvdoni kujtimin e shenjtërisë së tij. Zemërimi i tij zgjat veç një çast, por përkrahja e tij, tërë jetën. Mbrëmja edhe vjen me lot, por mëngjesi, plot hare. Kur jetoja në begati, thosha: «Nuk do të tronditem kurrë». Ti, o Zot, më përkrahe e më bëre të fortë si malin, por kur fshehe fytyrën, më zunë drithërimat. Ty të thërras, o Zot, Zotit tim i kërkoj mëshirë. Ç'dobi do të kishe nga gjaku im, nga zbritja ime në varr? Mos do të të përlëvdojë gjë balta? Apo mos do ta shpallë ajo të vërtetën tënde? Dëgjomë, o Zot, e mëshiromë! O Zot, bëhu ndihmëtari im. Vajtimin në valle ma ktheve, grathoren e zisë ma hoqe e me hare më ngjeshe, që qenia ime të të këndojë pa pushim. O Zot, Perëndia im, do të të përlëvdoj përjetë. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Te ti, o Zot, kërkova strehë, mos lejo të turpërohem asnjëherë, sipas drejtësisë sate çliromë! Prire veshin drejt meje, nxito të më çlirosh, bëhu për mua shkëmbi, ku gjej strehim, fortesa e shpëtimit tim. Ti je shkëmbi dhe fortesa ime, për hir të emrit tënd primë e hiqmë udhën. Më nxirr nga laku, që fshehtas më kanë ngritur, sepse ti je streha ime. Në duart e tua e lë shpirtin tim, shpengomë, o Zot, Perëndi besnik. I urrej ata që jepen pas idhujve të kotë, por unë shpresën e kam te Zoti. Për mirësinë tënde gëzoj e ngazëllej, se ti e pe pikëllimin tim dhe e njohe mjerimin e shpirtit tim. Nuk më le të bie në dorë të armiqve, këmbët m'i vure në vend të gjerë. Mëshiromë, o Zot, se jam ngushtë, nga brenga po më treten sytë, shpirti e trupi. Jeta po më mpaket në hidhërim e vitet po kalojnë mes lëngatash, më kanë lënë fuqitë prej paudhësisë e kockat po më treten. Jam bërë tallje për të gjithë armiqtë e shumë më tepër për fqinjët. Jam kthyer në tmerr për të njohurit e sa më shohin rrugës, ikin. Më kanë harruar fare, si të isha i vdekur, jam bërë porsi enë e thyer. Shpifjet e shumë njerëzve i dëgjova, tmerr nga të gjitha anët, janë bërë bashkë kundër meje, po kurdisin jetën të ma marrin. Por unë shpresoj te ti, o Zot, e them: «Ti je Perëndia im!». Në duart e tua janë motet e mia, shpëtomë nga dora e armiqve të mi e prej atyre që më përndjekin. Shndrittë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, sipas mirësisë sate shpëtomë. Mos më turpëro, o Zot, se ty të kam thirrur. U turpërofshin të paudhët e në skëterrë gojën mbyllshin. U mbyllshin buzët gënjeshtare, që kundër të drejtit tërë krenari flasin, tërë mburrje e përbuzje. Sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që ti e ruan për ata që të druajnë. Ua jep atyre që kërkojnë strehë te ti, në sytë e mbarë bijve të njerëzve. Nën strehën e pranisë sate i fsheh, larg kurtheve të njerëzve, nën banesën tënde i strehon, larg gjuhëve ngatërrestare. Bekuar qoftë Zoti, se brenda qytetit të rrethuar me mrekullinë e mirësisë së tij më mbuloi. E unë, në hutimin tim, thosha: «Jam dëbuar larg syve të tu». Veçse, ti e dëgjove përgjërimin tim, kur unë ty të thirra. Duajeni Zotin, të gjithë ju besnikët e tij! Zoti i mbron besimtarët e tij dhe shpaguan plotësisht kë vepron me krenari. Jini të fortë e merrni zemër, të gjithë ju që Zotin pritni. Himn i Davidit. Lum kujt iu fal faji, që mëkati iu mbulua. Lum njeriu, që Zoti nuk e gjykon fajtor, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi. Unë heshtja e kockat po më treteshin, rënkoja gjithë ditën. Dora jote rëndonte mbi mua ditë e natë, fuqia po më mpakej si në zhegun e verës. Atëherë të dëfteva mëkatin tim e fajin tim nuk ta fsheha. Thashë: «Do t'ia rrëfej paudhësitë Zotit »; ti e fale fajin e mëkatin tim. Le të të lutet për këtë çdo besnik në kohë mundimesh të mëdha dhe vërshimi i ujërave përmbytës nuk ka për ta zënë. Ti je vendstrehimi im, ti më ruan prej fatkeqësisë e me brohori shpëtimi më rrethon. «Do të të jap mençuri e udhën, ku duhet të ecësh, do të ta mësoj, do të të jap këshilla e sytë mbi ty do t'i mbaj». Mos u bëni si kali a si mushka, që s'kanë mend, kapistër e fre lypset për t'i mbajtur, që mos të të afrohen. Të shumta janë mundimet e të paudhit, por kush beson në Zotin rrethohet me mirësi. Gëzohuni në Zotin e ngazëlleni, o të drejtë! Brohoritni të gjithë ju, o zemërdrejtë! Brohoritni, o besnikë, në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi. Kremtojeni Zotin me qeste, këndojini me harpën me dhjetë tela. Këndojini atij një këngë të re, bjeruni bukur veglave muzikore e brohoritni! E drejtë është fjala e Zotit, të gjitha veprat e tij plot besnikëri. Ai e do drejtësinë dhe gjykimin e drejtë, plot është toka me mirësinë e Zotit. Me fjalën e Zotit u krijuan qiejt, me frymën e gojës së tij mbarë ushtria qiellore. Ujërat e deteve i mblodhi si në një pirg, thellësitë i mbylli nëpër drithnikë. Le ta ketë frikë Zotin mbarë toka, le të dridhen para tij gjithë banorët e botës. Se ai foli e gjithçka u bë, ai urdhëroi e u përftua. Zoti i zhbën shestimet e kombeve, mendimet e popujve ai i prish. Por shestimi i Zotit mbetet përjetë, mendimet e zemrës së tij brez pas brezi. Lum ai komb që ka për Perëndi Zotin, ai popull që e zgjodhi si trashëgiminë e vet. Zoti vështron prej qiellit, mbarë bijtë e njerëzve i shikon. Prej vendbanimit të tij ai shqyrton gjithë banorët e tokës. Ai i dha trajtë zemrës së çdo njeriu, i kupton mbarë veprat e njerëzve. Nuk shpëton mbreti falë ushtrisë së madhe e as luftëtari trim falë fuqisë së tij të madhe. Më kot e pret shpëtimin prej kalit, forca e tij e madhe nuk do ta shpëtojë. Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, që t'ua çlirojë shpirtin nga vdekja, që t'i mbajë gjallë në kohë urie. Shpirti ynë pret Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë. Në të gëzon zemra jonë, në emrin e tij të shenjtë kemi besim. Qoftë mbi ne, o Zot, mirësia jote, sikurse kemi shpresuar në ty. Psalm i Davidit. Kur u shtir si i marrë para Abimelekut, i cili e dëboi dhe Davidi u largua. E bekoj Zotin në çdo kohë, lavdërimi i tij përherë në gojën time. Në Zotin mburret shpirti im, le të dëgjojnë skamnorët e le të gëzojnë. Madhërojeni Zotin bashkë me mua, le ta lartësojmë së bashku emrin e tij. E kërkova Zotin e ai m'u përgjigj, nga të gjitha tmerret më çliroi. E panë e u ndriçuan, fytyrat e tyre nuk u turpëruan. Ja, ky skamnor thirri dhe Zoti e dëgjoi, nga të gjitha fatkeqësitë e çliroi. Engjëlli i Zotit bën roje rreth atyre që e druajnë dhe i shpëton. Shijoni e shihni se i mirë është Zoti. Lum ai njeri që gjen strehë tek ai! Druajeni Zotin, o të shenjtët e tij, se atyre që e druajnë, nuk u mungon asgjë. Luanët mbeten të pangopur e të uritur, por atyre që kërkojnë Zotin, nuk do t'u mungojë asnjë e mirë. Ejani, o bij, e dëgjomëni, drojën e Zotit do t'ju mësoj. Kush është ai njeri që e dëshiron jetën, që dëshiron të shohë ditë të mira? Ruaje, pra, gjuhën prej së keqes e buzët prej fjalëve mashtruese. Largohu nga e keqja e bëj të mirën, kërko paqen e rend pas saj. Sytë e Zotit janë mbi të drejtët veshët e tij e dëgjojnë klithmën e tyre. Fytyra e Zotit u kundërvihet keqbërësve, për ta fshirë prej dheut kujtimin e tyre. Zoti i dëgjon ata që i përgjërohen, prej të gjitha fatkeqësive i çliron. Zoti është pranë zemërthyerve, të dërrmuarit në shpirt i shpëton. Të shumta janë mundimet e të drejtit, por Zoti e çliron prej të gjithave. Ai i ruan tërë kockat e tyre, asnjë prej tyre nuk do të thyhet. E keqja do ta vrasë të paudhin, ata që urrejnë të drejtin do të ndëshkohen. Zoti e shpengon shpirtin e shërbëtorëve të tij, kush strehohet tek ai, nuk do të ndëshkohet. Psalm i Davidit. Kundërshtoji, o Zot, kundërshtarët e mi, lufto kundër atyre që më luftojnë. Rrok shqytin dhe mburojën e ngrihu të më ndihmosh. Vringëlloje shtizën dhe heshtën kundër atyre që më përndjekin, thuaji shpirtit tim: «Unë jam shpëtimi yt». U turpërofshin e u poshtërofshin ata që kërkojnë të më marrin jetën, u kthefshin pas të turpëruar ata që kurdisin ligësi kundër meje. U bëfshin si byku që e merr era, i ndjektë pas engjëlli i Zotit. U bëftë e errët dhe shkarëse udha e tyre, kur t'u jetë vënë pas engjëlli i Zotit. Se pa shkak më kanë ngritur kurth, pa shkak ia kanë hapur gropën shpirtit tim. U ardhtë papritur shkatërrimi, rënçin në rrjetën që vetë e ngritën, u plandosshin e u shkatërrofshin. E shpirti im do të gëzojë me Zotin, do të ngazëllejë për shpëtimin e tij. Tërë kockat e mia do të thonë: «Kush është si ti, o Zot? Ti e shpëton të mjerin prej më të fortit, të vobektin e skamnorin prej plaçkitësit». Kundër meje dolën dëshmitarë të ligj, më pyesin për gjëra që nuk i di. Ma shpërblyen të mirën me të keqe, shpirtin ma shkretuan. E unë, kur ata dergjeshin të sëmurë, me grathore u vesha, veten me agjërim e mundova, u luta me kokën përkulur mbi kraharor. Shkoja e vija si shok e vëlla, kërrusesha në zi si ai që vajton për të ëmën. Por, kur u rrëzova unë, gëzuan e bashkë u mblodhën. U mblodhën kundër meje të poshtër papandehur, pa pushim po më shqyejnë. Me ngërdheshje tallëse e shpotitëse kërcëllijnë dhëmbët kundër meje. O Zot, deri kur do të rrish duke vështruar? Çliroje shpirtin tim prej sulmeve të tyre, jetën time të çmuar prej pjellës së luanëve. Do të të falënderoj në kuvendin e madh, mes popullit të shumtë do të të përlëvdoj. Mos u gëzofshin për mua ata që më kot janë armiqtë e mi, ata që më urrejnë pa shkak mos e shkelshin syrin. Nuk flasin për paqe, por dredhi kurdisin kundër njerëzve paqësorë të vendit. Hapin gojën kundër meje e thonë: «Ah, ah, e pamë vetë me sytë tanë». Por ti, o Zot, e ke parë vetë, ndaj mos hesht e mos rri larg meje. Zgjohu e ngrihu për të më bërë drejtësi, O Zot, Perëndia im, mbroje çështjen time. Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, e mos i lejo të gëzojnë për mua. Të mos thonë në zemrat e tyre: «Ah, sa na u gëzua shpirti!», apo: «E përpimë». U turpërofshin e u poshtërofshin të gjithë ata që gëzojnë me fatkeqësinë time, turpi e poshtërimi i mbuloftë ata që ngrihen kundër meje. Ngazëllefshin e dëfrefshin ata që duan drejtësinë time, thënçin përherë: «U madhëroftë Zoti, që paqen e shërbëtorit të tij dëshiron». Gjuha ime do të shpallë drejtësinë tënde, përlëvdimin tënd, tërë ditën. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit, shërbëtorit të Zotit. Mëkati i flet të paudhit thellë në zemër, në sytë e tij nuk ka drojë Perëndie. Se ai e mashtron veten sy për sy, që paudhësinë e vet mos ta shohë e mos ta urrejë. Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dinakëri, nuk sillet me urti e nuk bën të mirën. Paudhësinë mendon në shtratin e tij, ndjek udhën që s'është e mirë, të keqen nuk e përbuz. O Zot, mirësia jote rrok qiellin, besnikëria jote prek retë. Drejtësia jote është si malet e larta, gjykimet e tua si humnera e thellë. Njerëz e kafshë, o Zot, ti i shpëton. Sa e çmuar është mirësia jote, o Perëndi! Nën hijen e krahëve të tu njerëzit gjejnë strehë. Ngihen me begatinë e shtëpisë sate, në përroin e ëndjeve të tua shuajnë etjen. Se pranë teje është burimi i jetës, në dritën tënde shohim dritën. Shtrije mirësinë tënde mbi ata që të njohin dhe drejtësinë tënde mbi zemërdrejtët. Mos më shkeltë këmba e kryelartit, dora e të paudhit mos më dëboftë. Ja tek ranë ata që bëjnë paudhësi, u plandosën e më nuk ngrihen dot. Psalm i Davidit. Mos u zemëro nga keqbërësit, ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo. Se ata do të thahen shpejt si bari, do të vyshken si barishtja e njomë. Beso në Zotin e bëj të mirën, bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij. Gjeje kënaqësinë te Zoti e ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate. Lëre udhën tënde në duart e Zotit, ki besim tek ai e ai do të veprojë. Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita, të drejtën tënde porsi mesdita. Hesht para Zotit e prite me durim, mos u zemëro me atë që i shkon mbarë, me njeriun që thur dredhi. Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit, mos u zemëro, që të mos bësh të keqen. Se keqbërësit do të shfarosen, por ata që shpresojnë në Zotin do të trashëgojnë tokën. Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më. Do të shohësh për nga vendi i tij e nuk do të jetë më atje. Skamnorët do të trashëgojnë tokën e do të kënaqen me paqe të begatë. I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit e kërcëllin dhëmbët kundër tij. Por Zoti do të qeshë me të, se e sheh që po i vjen dita. Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin, për të plandosur të mjerin e nevojtarin, për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë. Shpata do t'u hyjë në zemrën e vet, harqet e tyre do të thyhen. Më mirë ajo pak që ka i drejti, sesa pasuria e shumë të paudhëve. Krahët e të paudhëve do të thyhen, ndërsa të drejtët i përkrah Zoti. Zoti i njeh mirë ditët e të ndershmëve, trashëgimia e tyre do të mbetet përherë. Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie, të nginjur do të jenë edhe në ditë urie. Por të paudhët do të marrin fund, armiqtë e Zotit do të vyshken si bukuria e lëndinës, si tymi do të fashiten. I paudhi merr hua e nuk e kthen, ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep. Të bekuarit do të trashëgojnë tokën, të mallkuarit do të shfarosen. Se Zoti i forcon hapat e njeriut, kur i pëlqen udha e tij. Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet, se Zoti e mban për dore. Kam qenë i ri e tashmë jam plakur dhe s'e kam parë të drejtin të braktisur, as pasardhësit e tij të lypin për bukë. Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua, pasardhësit e tij do të jenë të bekuar. Kthehu prej së keqes, bëj të mirën dhe do të kesh një banesë të përjetshme. Se Zoti e do drejtësinë dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë, ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen. Të drejtët do të trashëgojnë tokën e në të do të banojnë përherë. Goja e të drejtit ligjëron urti, gjuha e tij shpall gjykim të drejtë. Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër, hapat e tij nuk do të lëkunden. I paudhi e përgjon të drejtin dhe kërkon ta vrasë. Por Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe, nëse e gjykojnë, s'do të lejojë ta dënojnë. Prite Zotin e mbaj udhën e tij. Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën, dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve. E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm, tek harlisej si pema tërë gjethe. Por ja që u shua e më nuk është, e kam kërkuar, por s'e kam gjetur dot. Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin, njeriut të paqes i përket e ardhmja. Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen, të paudhët nuk do të kenë të ardhme. Shpëtimi i të drejtit vjen prej Zotit, ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie. Zoti i ndihmon e i çliron, ai i çliron nga të paudhët e i shpëton, se tek ai gjetën strehë. Psalm i Davidit. Si kujtesë. Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd, mos më ndëshko me mërinë tënde. Më janë ngulur shigjetat e tua, dora jote më ka goditur. Nuk ka më shëndet në trupin tim, për shkak të zemërimit tënd, nuk gjejnë më prehje kockat e mia, për shkak të mëkatit tim. Paudhësitë m'i kanë mbuluar kryet, si barrë e rëndë peshojnë mbi mua. Qelben e kalben plagët e mia, për shkak të marrëzisë sime. Jam kërrusur e gërmuqur krejt, gjithë ditën endem e vajtoj. Ijët më therin nga dhimbja, nuk ka më shëndet në trupin tim. Jam mekur e këputur krejt, ulërij me zemër të pikëlluar. O Zot, gjithë dëshirat e mia janë para teje e nuk ta kam fshehur rënkimin tim. Zemra më rreh fort, fuqia po më lë, edhe drita e syve po më shuhet. Miq e shokë stepen para krusmës sime, të afërmit më qëndrojnë larg. Ata që kërkojnë të ma marrin jetën më kanë ngritur kurth, ata që ma duan të keqen flasin për shfarosje, gjithë ditën bluajnë dredhi. E unë, si të isha shurdh, nuk dëgjoj, si të isha memec, gojë nuk hap. Jam bërë si i shurdhër, që nuk nxjerr asnjë përgjigje nga goja. Te ti kam shpresë, o Zot, ti do të më përgjigjesh, o Zot, Perëndia im. E thashë: «Mos i lër të dëfrejnë me mua e as të krenohen kundër meje, kur të më rrëshqasë këmba». Gati u rrëzova, e dhimbja s'më hiqet sysh. E rrëfej paudhësinë time dhe brengosem për mëkatin tim. Por armiqtë e mi rrojnë e janë të fortë, ata që më urrejnë pa shkak janë shumuar. Ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqe ngrihen kundër meje, se unë ndjek të mirën. Mos më braktis, o Zot, Perëndia im, mos më rri larg. Nxito të më ndihmosh, o Zot, shpëtimtari im. Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit. Thashë: «Do t'i ruaj udhët e mia, që të mos mëkatoj me gjuhën time. Gojës sime do t'i vë fre, sa të jetë i paudhi para meje». Heshta e nuk fola, asnjë fjalë të mirë nuk thashë, e dhimbja ime rëndohej. Kur zemra m'u ndez përbrenda e mendimet më përvëlonin, atëherë m'u zgjidh gjuha e fola. Ma bëj të njohur, o Zot, fundin tim, numrin e ditëve të mia, përkohësinë time. Ja, ti i pakësove ditët e mia sa një pëllëmbë, jetëgjatësia ime s'është asgjë para teje, çdo njeri i gjallë s'është veçse kotësi. Vërtet, njeriu kalon si hije, të kota janë mundimet e tij, grumbullon pasuri, pa e ditur për kë i mbledh. E tani, ç'mund të pres, o Zot? Shpresën e kam te ti. Çliromë prej të gjitha fajeve e mos lejo të më tallë i marri. Po hesht e gojën s'po e hap, sepse këtë e ke bërë ti. Largoje prej meje fshikullimin tënd, po marr fund nën peshën e dorës sate. Njeriun e qorton e ia ndëshkon paudhësinë, si tenja ia bren çdo gjë që dëshiron. Të gjithë njerëzit janë veç kotësi. Dëgjoje lutjen time, o Zot, e vëri vesh përgjërimit tim! Mos hesht ndaj lotëve të mi, se i huaj jam te ti, shtegtar si të gjithë paraardhësit e mi. Largoje vështrimin tënd prej meje, që të mund të gëzoj sërish, para se të shkoj e të mos jem më. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Me durim e prita Zotin, ai u përkul drejt meje e përgjërimin ma dëgjoi. Prej gropës së mundimit më nxori, prej batakut të baltës, këmbët m'i vuri mbi shkëmb e hapat m'i forcoi. Një këngë të re më vuri në gojë, një himn për Perëndinë tonë. Shumë do ta shohin e do të dridhen dhe në Zotin do të besojnë. Lum njeriu që ka besim te Zoti, që nuk kthehet drejt atyre që mburren e drejt atyre që jepen pas gënjeshtrës. Të shumta janë veprat e tua të mrekullueshme, o Zot, Perëndia im, të shumta shestimet e tua për ne. Nuk ka të ngjashëm me ty! Do t'i shpallja e do t'i tregoja, por janë të panumërueshme. Ti nuk dëshiron fli e kushtime, për këtë m'i ke hapur mirë veshët, nuk kërkove as fli shkrumbimi a mëkati. Atëherë thashë: «Ja tek kam ardhur. Në rrotullën e librit është shkruar për mua. Të kryej vullnetin tënd, o Perëndia im, dëshiroj, ligji yt është brenda qenies sime». Drejtësinë tënde shpalla në kuvendin e madh, ja, buzët nuk i mbylla dhe ti, o Zot, e di. Drejtësinë tënde nuk e fsheha brenda zemrës sime, për besnikërinë e për shpëtimin tënd fola, mirësinë tënde nuk e mbajta fshehur, e as besnikërinë tënde në kuvendin e madh. E ti, o Zot, mos m'i moho përdëllimet e tua, mirësia dhe besnikëria jote më mbrojtshin përherë. Të këqija të panumërta më kanë rrethuar, paudhësitë më kanë vënë poshtë e nuk më lënë të shoh. Janë bërë më të shumta se flokët e kokës e zemra po më lëshon. Denjo, o Zot, të më shpëtosh! Shpejto, o Zot, të më ndihmosh! U turpërofshin e u çnderofshin të gjithë ata që jetën duan të ma marrin, u zmbrapsshin e u poshtërofshin ata që më duan të keqen. U tmerrofshin të turpëruar ata që për mua thonë: «Mirë t'i bëhet!». Të gjithë ata që të kërkojnë gëzofshin e ngazëllefshin me ty, ata që duan shpëtimin prej teje thënçin përherë: «I madh është Zoti!». Unë jam i mjerë e nevojtar, por për mua kujdeset Zoti. Ti je ndihma dhe shpëtimtari im, o Perëndia im, mos vono. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Lum ai që kujtohet për të varfrin, në ditë fatkeqësie Zoti do ta shpëtojë. Zoti do ta ruajë e do ta mbajë gjallë, do ta bëjë të lum mbi tokë e s'do ta lërë në duart e armiqve. Zoti do ta ndihmojë kur të dergjet në shtrat, në kohë sëmundjesh do t'ia lehtësojë dhimbjen. E unë thashë: «Mëshiromë, o Zot! Shëroje shpirtin tim, se kam mëkatuar ndaj teje». Armiqtë e mi flasin keq për mua e thonë: «Kur do të vdesë e t'i shuhet emri?». Kur dikush vjen të më shohë, flet rrena e në zemër mbledh paudhësi. Mandej del jashtë e më përflet. Të gjithë ata që më urrejnë përshpëritin për mua me njëri-tjetrin e ligësi kurdisin kundër meje: «E ka zënë gjëma e tmerrshme, ka zënë shtratin e më s'ngrihet». Edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim e që hante bukën time, u ngrit kundër meje. Por ti, o Zot, mëshiromë, ngrimë që t'ua shpaguaj. Kështu do ta di se ti më do: nëse armiku im nuk ngadhënjen mbi mua. Ti më ke përkrahur në pafajësinë time e më ke vënë përherë në praninë tënde. Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, prej amshimit në amshim. Amen! Amen! Mjeshtrit të korit. Himn i bijve të Korahut. Ashtu si dreri dëshiron rrëketë e ujërave, edhe shpirti im të dëshiron ty, o Perëndi. Shpirti im është i etur për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë; kur do të shkoj e të dal para Perëndisë? Lotët janë bërë buka ime, ditë e natë, teksa përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?». Këtë kujtoj e më mallëngjehet shpirti: ecja me njerëzit, drejt shtëpisë së Perëndisë u prija. Turma kremtonte plot britma gëzimi e falënderimi. Përse lëngon, o shpirti im? Përse vajton brenda meje? Shpreso te Perëndia, do ta përlëvdoj sërish, se prania e tij shpëton. O Perëndia im, m'u këput shpirti, ndaj dhe të kujtoj prej tokës së Jordanit, prej Hermonit e prej malit të Micarit. Humnera humnerës i thërret me ushtimën e ujëvarave të tua, të gjitha dallgët e valët e tua kaluan mbi mua. Ditën, Zoti dëften mirësinë e tij, natën unë i thur këngë, i lutem Perëndisë së jetës sime. Do t'i them Perëndisë, shkëmbit tim: «Përse më ke harruar? Përse endem i vranët e i shtypur prej armikut?». Armiqtë më poshtërojnë, kockat m'i dërrmojnë, e përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?». Përse lëngon, o shpirti im? Përse vajton brenda meje? Shpreso te Perëndia, se do ta përlëvdoj sërish. Ai është shpëtimtari im dhe Perëndia im. Jepmë të drejtë, o Perëndi, çështjen time mbroje para një kombi të pabesë dhe prej njeriut mashtrues e dinak çliromë. Se ti je Perëndia ku gjej strehë, përse më ke hedhur tej? Përse endem i vranët e i shtypur prej armikut? Dërgo dritën dhe të vërtetën tënde, që të më prijnë, që në malin tënd të shenjtë të më çojnë, në vendin e banesës sate. Do të shkoj tek altari i Perëndisë, te Perëndia i gëzimit e i ngazëllimit tim. Me lirë do të të falënderoj, o Perëndi, Perëndia im. Përse lëngon, o shpirti im? Përse gulçon brenda meje? Shpreso te Perëndia, se do ta përlëvdoj sërish. Ai është shpëtimtari im dhe Perëndia im. Mjeshtrit të korit. Himn i bijve të Korahut. O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tanë, etërit tanë na e kanë treguar, veprën që bëre në ditët e tyre, në ditët e kahershme. Me dorën tënde kombe shfarose e etërit tanë aty i mbolle, vend atyre u bëre e fatkeqësi popujve u solle. Tokën nuk e morën me shpatën e tyre, e s'ishte krahu i tyre që i shpëtoi, por e djathta jote dhe krahu yt, drita e fytyrës sate, se i kishe për zemër. Ti, o Perëndi, je mbreti im, ti e vendos shpëtimin e Jakobit. Me ndihmën tënde i shpartalluam armiqtë, me emrin tënd i shtypëm kundërshtarët tanë. Shpresën nuk e vura te harku im e shpëtimin nuk ma solli shpata ime. Por, ishe ti që na shpëtove nga armiqtë, ishe ti që i turpërove ata që na urrenin. Me ty, o Perëndi, krenoheshim tërë ditën, emrin tënd përlëvdonim përherë. Por tani na ke hedhur poshtë e na ke turpëruar, me ushtritë tona ti më nuk del. Na bëre t'ia mbathim para armiqve tanë, na kanë plaçkitur ata që na urrejnë. Na ke dorëzuar si dele për t'u therur, na ke shkapërdarë nëpër kombe. E shite popullin tënd pa fitim e nuk përfitove nga çmimi i tij. Na bëre tallje për fqinjët tanë, përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë. Na bëre përrallë për kombet, për ne popujt tundin kokën. Poshtërimin e kam tërë ditën para syve e turpi më ka mbuluar fytyrën, prej zërit të atij që më përqesh e më shan, prej armikut e hakmarrësit. Të gjitha këto na kanë zënë, por ne nuk të kemi harruar e besëlidhjen tënde s'e kemi shkelur. Zemra jonë nuk u kthye pas, e hapat tanë nuk dolën nga udha jote, edhe kur na shtype në strofullën e çakejve e na mbulove me hije të errët. Po ta kishim harruar emrin e Perëndisë tonë e duart t'i kishin ngritur drejt një perëndie të huaj, a s'do ta kishte marrë vesh këtë Perëndia, ai që njeh të fshehtat e zemrës? Për ty po na vrasin tërë ditën e na trajtojnë si dele për t'u therur. Zgjohu! Përse po fle, o Zot? Ngrihu e mos na hidh poshtë përgjithmonë! Përse e fsheh fytyrën tënde? Përse e harron vuajtjen dhe shtypjen tonë? Shpirti ynë ka rënë përdhe e trupi ynë hiqet zvarrë përtokë. Ngrihu të na ndihmosh e shpengona për hir të mirësisë sate! Mjeshtrit të korit. Në «Melodinë e Zambakut», himn i bijve të Korahut. Këngë dashurie. Fjalë të mira më burojnë nga zemra, mbretit këngën time ia kushtoj, gjuha ime si pendë bukurshkruesi. Ti je më i bukuri ndër bijtë e njerëzve, nga buzët e tua rrjedh hijeshi, ndaj dhe Perëndia të ka bekuar në amshim. Ngjishe shpatën në ijë, o trim, për shkëlqimin dhe madhështinë tënde. Ec përpara me madhështi, për çështjen e së vërtetës kalëro, për butësinë e për drejtësinë. E djathta jote të dëfteftë mrekullira. Shigjetat e tua janë të mprehta për zemrat e armiqve të mbretit. Nën ty popuj do të bien. Froni yt, o Perëndi, mbetet përjetë, skeptri yt mbretëror, skeptër drejtësie. Ti e do drejtësinë, por urren paudhësinë. Perëndia të vajosi, Perëndia yt, me vaj ngazëllimi, si askënd nga shokët e tu. Petkat e tua mirrë, aloe e kasie kundërmojnë, nga pallatet e tua të fildishta tinguj harpash të gëzojnë. Bija mbretërish ka në shpurën tënde, një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron, stolisur me ar Ofiri. Dëgjo, o bijë! Shiko e mba vesh! Harroje popullin tënd e shtëpinë e atit tënd! Mbretit do t'i pëlqejë bukuria jote, ai do të jetë zotëria yt dhe para tij do të përkulesh. Bija e Tirit do të vijë me dhurata, të pasurit e popullit do të kërkojnë pëlqimin tënd. Brenda është bija e mbretit, tërë lavdi, rrobat e saj me ar qëndisur. Me rroba tërë qëndisma ia sjellin mbretit e pas i vjen shpura e virgjëreshave, shoqet, që para teje i paraqesin. I sjellin me gëzim e me hare, i çojnë në pallatin e mbretit. Pas etërve do të vijnë bijtë e tu, princa do t'i bësh në mbarë tokën. Do ta përkujtoj emrin tënd brez pas brezi, ndaj dhe popujt do të të falënderojnë përjetë e në amshim. Mjeshtrit të korit, këngë në melodinë e virgjëreshave. E bijve të Korahut. Perëndia është streha dhe fuqia jonë, ndihmë që na gjendet përherë në ngushticë. Prandaj s'do të trembemi po të lëkundet toka e malet të tranden në zemër të detit. Le të gjëmojnë ujërat, shkumë le të lëshojnë, malet le të dridhen kur të fryhet deti. Rrëketë e lumit qytetin e Perëndisë gëzojnë, vendin e shenjtë ku i Tejlarti banon. Mes tij është Perëndia e nuk do të tronditet, ai do ta ndihmojë kur të agojë mëngjesi. Kombet bënë trazira, mbretëritë u tronditën, Zoti gjëmoi e toka u tret. Me ne është Zoti i ushtrive, streha jonë është Perëndia i Jakobit. Ejani e shihni veprat e Zotit, ai urdhëroi mjerime mbi tokë. Ai i pushon luftrat anekënd tokës, ai i thyen harqet e copëton ushtat, e qerret me zjarr i djeg. Ndaluni dhe dijeni se unë jam Perëndi. I lartë përmbi kombe, i lartë përmbi tokë. Me ne është Zoti i ushtrive, streha jonë është Perëndia i Jakobit. Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut. Duartrokitni, të gjithë ju, o popuj, brohoritni për Perëndinë me zë gëzimi. Se Zoti, i Tejlarti, është i tmerrshëm, mbret i madh mbi tokën mbarë. Popujt i vë nën sundimin tonë, kombet nën këmbët tona. Ai na e zgjodhi trashëgiminë, lavdinë e Jakobit, që aq shumë e deshi. Lartohet Perëndia mes brohoritjeve, Zoti mes tingujve të bririt. Këndojini Perëndisë, këndojini! Këndojini mbretit tonë, këndojini! Perëndia është mbreti i mbarë tokës, këndojini, pra, një himn! Perëndia mbretëron mbi kombet, Perëndia rri mbi fronin e tij të shenjtë. Princat e kombeve u bashkuan me popullin e Perëndisë së Abrahamit, se Perëndisë i përkasin mburojat e tokës, e ai u lartësua shumë! Këngë. Psalm i bijve të Korahut. I madh është Zoti e fort i lavdërueshëm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë. Lartësi e bukur, gëzimi i mbarë tokës është mali i Sionit në skajin verior, qyteti i mbretit të madh. Në fortesat e tij Perëndia u bë i njohur si streha e pamposhtur. Ja, mbretërit janë mbledhur e bashkë kanë marshuar. Por panë e u hutuan, të tmerruar mbrapsht u kthyen. Aty i kapën drithërimat, dhimbjet si ato të lindjes. Me erën e lindjes anijet e Tarshishit shkatërrove. Siç kishim dëgjuar, ashtu po shohim në qytetin e Zotit të ushtrive, në qytetin e Perëndisë tonë, që Perëndia e themeloi për amshim. Mirësinë tënde përsiatim, o Perëndi, brenda në tempullin tënd. Përlëvdimi yt, o Perëndi, është si emri yt, arrin deri në skajet e tokës; e djathta jote është plot drejtësi. Le të gëzojë mali i Sionit, le të ngazëllojnë qytetet e Judës, falë gjykimeve të tua. Ejani përqark Sionit e bjerini përreth, numërojini të gjitha kullat e tij. Soditni muret e tij, vështroni fortesat e tij, që brezit të ardhshëm t'ia tregoni, se ky është Perëndia, Perëndia ynë në amshim, ai do të na prijë deri në vdekje. Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut. Dëgjojeni këtë mbarë ju popuj, mbani vesh të gjithë ju banorët e botës, vegjëlia e paria, të pasur e të varfër bashkë: Goja ime do të flasë urti, zemra ime do të përsiatë me mençuri. Do t'i vë vesh fjalës së urtë, gjëegjëzën time do ta zbuloj me lirë. Përse të frikësohem në ditë fatkeqësie, kur të më rrethojë paudhësia e kundërshtarëve të mi, e atyre që shpresojnë te pasuria e vet, që mburren me të mirat e tyre të shumta? E pra, njeriun nuk e shpengon dot njeriu e askush nuk ia shlyen dot Perëndisë shpagimin e vet. Shpengimi i shpirtit është i shtrenjtë e nuk paguhet dot asnjëherë, që njeriu të jetojë përgjithmonë e të mos e shohë gropën e varrit. Të gjithë e shohin se i urti vdes, merr fund i marri e i pamendi dhe pasurinë të tjerëve ua lënë. Varri do të jetë shtëpia e tyre përjetë, banesa e tyre brez pas brezi, edhe pse u vunë tokave emrin e vet. Edhe njeriu fisnik mund të mos e gdhijë natën, i ngjashëm është me kafshët që ngordhin. Ky është fati i tyre, marrëzia e tyre, fundi i atyre që kënaqen me fjalët e veta. Si delet do të shkojnë drejt skëterrës e vdekjen do të kenë bari. Të drejtët do të sundojnë mbi ta në agim, trajta e tyre në skëterrë do të tretet, larg vendbanimeve të tyre. Por Perëndia do ta shpengojë shpirtin tim, prej kthetrave të skëterrës do të më nxjerrë. Mos u frikëso kur dikush pasurohet, kur shtëpia e tij bëhet më e lavdishme, se, kur të vdesë, nuk do të marrë asgjë, e lavdia pas nuk do t'i shkojë. Sa qe gjallë, e quante veten të bekuar, «Më thurin lavde, se më ka shkuar mbarë», mendonte. Por edhe ai do të bashkohet me brezninë e etërve të vet, që dritën nuk do ta shohin më kurrë. Njeriu fisnik nuk arrin të kuptojë, ngjan me shtazët që ngordhin. Psalm i Asafit. Perëndia, Zoti Perëndi, foli, tokën mbarë mblodhi nga lindja në perëndim të diellit. Prej Sionit, bukurisë së përkryer, Perëndia shkëlqeu. Perëndia ynë po vjen e nuk do të heshtë, i paraprin zjarri që përpin, përreth tij thëllimi i tërbuar. Thërret qiejt prej së larti bashkë me tokën, për të gjykuar popullin e tij: «Mblidhuni tek unë, o besnikë, ju që me fli besëlidhjen me mua lidhët». Qiejt shpallin drejtësinë e tij, se gjykatës është vetë Perëndia. «Dëgjomë, o populli im, dua të flas, o Izrael! Kam për të dëshmuar kundër teje, unë jam Perëndia, Perëndia yt. Nuk po të qortoj për flitë e tua, flitë e tua të shkrumbimit i kam përherë përpara. Mëzat nuk do të pranoj prej shtëpisë sate e as cjap prej tufave të tua. Se të miat janë tërë kafshët e pyllit, egërsirat e mijëra male. I njoh tërë shpendët e lartësive, gjallesat e fushës janë të miat. Po të kisha uri, s'do të të lypja ty, e imja është bota e gjithçka në të. Mos do të ha gjë mish demash, a do të pi gjak cjepsh? Kushtoji Perëndisë fli përlëvdimi e përmbushi betimet ndaj të Tejlartit. Ditën e fatkeqësisë më thirr, do të të shpëtoj e do të më lavdërosh». E të paudhit Perëndia i thotë: «Përse, vallë, i shpall rregullat e mia, përse goja jote flet për besëlidhjen time, kur ti e urren qortimin e fjalët e mia i hedh pas shpine? Kur sheh një vjedhës, shoqërohesh me të, me kurorëshkelësit bëhesh bashkë. Gojën ia ke kushtuar së keqes, gjuha jote thur mashtrime. Ulesh e flet kundër vëllait tënd, shpif kundër birit të nënës sate. Këto i ke bërë e unë kam heshtur, ke menduar se jam si ti. Por, ja, ku po të qortoj e po t'i përplas para syve». Kuptojeni, pra, mirë këtë gjë, ju që Perëndinë harroni, në mos do t'ju bëj copë e çikë e s'do të ketë kush t'ju shpëtojë. Kush më kushton fli përlëvdimi më nderon, atij që ecën udhës së drejtë do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Kur erdhi tek ai profeti Natan, pasi Davidi kishte shkuar me Batshebën. Ki mëshirë për mua, o Perëndi, në mirësinë tënde, në dhembshurinë tënde të madhe, fshiji paudhësitë e mia. Lamë tërësisht prej fajit tim, prej mëkatit tim pastromë. I njoh paudhësitë e mia, mëkatin tim e shoh përherë. Ndaj teje, vetëm ndaj teje mëkatova, bëra ligësi para syve të tu. Prandaj, je i drejtë në vendimet e tua dhe i paqortueshëm kur gjykon. Ja, unë linda në paudhësi, në mëkat më ngjizi ime më. Ti e do të vërtetën në brendinë e qenies, ndaj bëmë të njoh urtinë në thellësitë e mia. Pastromë me hisop e do të bëhem i pastër, lamë e do të jem më i bardhë se dëbora. Bëmë të ndiej gëzim e ngazëllim e do të gëzohen eshtrat që thërrmove. Ktheje fytyrën tënde larg mëkateve të mia e fshiji tërë fajet e mia. Krijo tek unë një zemër të pastër, o Perëndi, përtëri brenda meje një shpirt të palëkundur. Mos më dëbo nga prania jote e mos ma hiq shpirtin tënd të shenjtë. Kthema gëzimin e shpëtimit tënd dhe kalit në mua një shpirt vullnetmirë. Do t'u mësoj ligjshkelësve udhët e tua e mëkatarët do të kthehen te ti. Shpëtomë nga gjakderdhja, o Perëndi, Perëndia i shpëtimit tim, gjuha ime do të brohorasë për drejtësinë tënde. O Zot, hapi buzët e mia e goja ime do të shpallë lavdinë tënde. Po ta doje flinë do ta sillja, por flija e shkrumbimit nuk të pëlqen. Fli për Perëndinë është shpirti i penduar; zemrën e thyer e të copëtuar, o Perëndi, ti nuk e përbuz. Bëji mirë Sionit në mirëdashjen tënde, ndërtoji muret e Jerusalemit. Atëherë do t'i pëlqesh flitë e drejtësisë, fli shkrumbimi e fli të djegura tërësisht; atëherë do të kushtojnë viça mbi altarin tënd. Mjeshtrit të korit. Himn i Davidit. Kur Doeg Edomiti shkoi te Sauli e i tha se Davidi kishte shkuar në shtëpinë e Abimelekut. Përse mburresh me të keqen, o trim? Mirësia e Perëndisë nuk resht tërë ditën. Gjuha jote thur dinakëri, je mjeshtër i mashtrimit, si brisk i mprehur. Të keqen e do më shumë se të mirën, gënjeshtrën më shumë se të drejtën. Të pëlqejnë fjalët ngatërrestare dhe gjuha hileqare. Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë përgjithnjë, do të të mbërthejë e do të të shkulë prej tendës, do të të zhbijë nga toka e të gjallëve. Do të shohin të drejtët e do të tremben, do ta përqeshin e do të thonë: «Ja, njeriu, që nuk kërkoi strehë te Perëndia, por shpresoi te pasuria e tij e madhe e u bë i fuqishëm me anë të mashtrimit!». E unë, si ulliri i gjelbër në tempullin e Perëndisë, kam besim te mirësia e Perëndisë përjetë e në amshim. Do të të përlëvdoj përjetë për gjithçka bëre, përpara besnikëve të tu, do të shpresoj tek emri yt, se është i mirë. Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «mahalat». Himn i Davidit. Thotë i marri në zemrën e tij: «S'ka Perëndi». Të gjithë janë shthurur, bëjnë padrejtësi të neveritshme; askush nuk bën të mirën. Prej qiellit Perëndia i vështron njerëzit, për të parë në ka ndonjë të mençur, që kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha, të gjithë janë shthurur, askush nuk bën të mirën, as edhe një. A nuk janë të pamend të paudhët, që e gëlltitin popullin tim si bukën dhe Perëndisë nuk i thërrasin? Atje, ku frikë s'kishte, do të bjerë frika, Perëndia i shpërndau eshtrat e atyre që të rrethonin. Do t'i turpërosh, se Perëndia i ka hedhur poshtë. Kush do ta sjellë prej Sionit shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia ta kthejë popullin e vet nga robëria, do të gëzojë Jakobi, do të ngazëllejë Izraeli. Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Himn i Davidit, kur zifitët shkuan e lajmëruan Saulin se Davidi fshihej diku mes tyre. O Perëndi, shpëtomë për hir të emrit tënd, jepmë të drejtë me fuqinë tënde. Dëgjoje, o Perëndi, lutjen time, vëru vesh fjalëve të gojës sime. Se të huajt janë ngritur kundër meje dhe gjakatarët kërkojnë të më marrin jetën, njerëz që s'duan t'ia dinë për Perëndinë. Por Perëndia është ndihma ime, Zoti përkrahësi i jetës sime. Rëntë e keqja mbi vetë armiqtë e mi, për hir të besnikërisë sate, shfarosi! Gjithë ëndje do të të kushtoj fli, emrin tënd do ta përlëvdoj, o Zot, se është i mirë. Se më shpëtove nga çdo fatkeqësi dhe sytë e mi e panë shkatërrimin e armiqve të mi. Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Himn i Davidit. Vëri vesh lutjes sime, o Perëndi, përgjërimit tim mos iu fshih. Dëgjomë e m'u përgjigj. Përpëlitem i hidhëruar e gulçoj, prej britmës së armikut, prej shtypjes së të paudhit. Kanë sjellë fatkeqësi mbi mua, tërë zemërim më sulmojnë. Zemra më dridhet përbrenda, tmerret e vdekjes më kanë pushtuar. Frika e tmerri më kanë kapur, ngjethem i tëri. E thashë: «Kush do të më japë krahë si të pëllumbit, që të fluturoj larg e të gjej prehje? Ja, larg do të degdisesha, në shkretëtirë do të banoja. Do të gjeja shpejt një vend strehimi, nga era e furishme e nga stuhia». Pështjelloji, o Zot, dhe përçaji gjuhët e tyre, se shoh dhunë e grindje në qytet. Ditë e natë qerthullojnë mbi muret e tij, brenda tij ka paudhësi e mjerim. E ka pushtuar dinakëria, dhuna e mashtrimi nuk kanë të sosur udhëve të tij. Po të më poshtëronte armiku, do të duroja, po të ngrihej kundër meje ai që më urren, do t'i fshihesha. Por je ti, njeriu i sërës sime, miku e i njohuri im. Bashkë kuvendonim ëmbël, tok shkonim në tempullin e Perëndisë. U rëntë papritur vdekja, zbritshin të gjallë në skëterrë, se mes tyre dhe në banesat e tyre, ka bërë vend e keqja. Por unë do t'i thërras Perëndisë e Zoti do të më shpëtojë. Në mbrëmje, në mëngjes e në mesditë do të ofshaj, do të rënkoj e ai do të ma dëgjojë zërin. Do të ma shpengojë shpirtin e do të më japë prehje prej atyre që më sulmojnë, se të shumtë janë kundërshtarët e mi. Perëndia do të dëgjojë e do t'i poshtërojë, ai që rri mbi fron qëmoti. Se për ta nuk ka kthim, Perëndinë nuk e druajnë. Ngrenë dorë kundër miqve të vet, besën e dhënë e shkelin. Gojën e kishin më të butë se gjalpin, por në zemër fshihnin luftë, fjalët e tyre dukeshin më të lëmuara se vaji, por vringëllonin si shpata. Lërja barrën tënde Zotit e ai do të të përkrahë, se ai nuk do të lejojë asnjëherë, që të tronditet i drejti. Por ti, o Perëndi, do t'i plandosësh në gropë të thellë. Gjakatarë e mashtrues janë e s'do të arrijnë as gjysmën e ditëve. Ndërsa unë do të kem besim te ti. Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Pëllumbat e lisave të largët». Himn i Davidit, kur filistinët e zunë rob në Gat. Mëshiromë, o Perëndi, se po më përndjekin, kundërshtarët po më shtypin tërë ditën. Armiqtë po më shkelin çdo ditë me këmbë, të shumtë janë ata që më sulmojnë nga lart. Ditën që do të më pushtojë frika, te ti do të kem besim. Te Perëndia, të cilit ia përlëvdoj fjalën, te Perëndia kam besim, prandaj nuk frikësohem. Ç'do të më bëjë njeriu prej mishi? Tërë ditën i shtrembërojnë fjalët e mia, për mua shestojnë të keqen. Janë vërsulur, kanë zënë pusi, më ruajnë hapat, jetën të më marrin. Shpërbleji sipas paudhësive të tyre, o Perëndi, në zemërimin tënd rrëzoji popujt! Ti e di mirë sa herë kam mërguar. Mblidhi lotët e mi në calikun tënd! A s'janë të shkruara në librin tënd? Atëherë do të zmbrapsen armiqtë e mi, ditën që do të të thërras. Këtë e di, sepse Perëndia është me mua. Te Perëndia, të cilit ia përlëvdoj fjalën, te Zoti, të cilit ia përlëvdoj fjalën, te Perëndia e kam varur shpresën, prandaj nuk frikësohem. Ç'do të më bëjë njeriu? Do t'i përmbush zotimet që të kam bërë, o Perëndi, do të të kushtoj fli falënderimi, se më ke shpëtuar jetën prej vdekjes, këmbët m'i ke ruajtur nga rrëshqitja, që të eci në prani të Perëndisë, në dritën e jetës. Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit, kur mori arratinë prej Saulit e u fsheh në shpellë. Mëshiromë, o Perëndi, mëshiromë, se te ti gjen strehë shpirti im, nën hijen e krahëve të tu gjej strehë, derisa të kalojë kërcënimi. Do t'i thërras Perëndisë, të Tejlartit, Perëndisë, që bën mirësi për mua. Prej qiellit do ta dërgojë ndihmën e do të më shpëtojë, atë që më përndjek do ta turpërojë. Perëndia do të dërgojë mirësinë dhe besnikërinë e tij. Shpirti im banon mes luanësh, gati të përpijnë bijtë e njeriut. Dhëmbët e tyre janë si heshta e shigjeta, gjuha e tyre si shpata e mprehtë. Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi, le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë! U vunë lakun këmbëve të mia e shpirti m'u drobit, hapën një gropë para meje, por ranë vetë brenda. Zemra ime është e fortë, o Perëndi, e fortë është zemra ime. Do të këndoj e himne do të thur. Zgjohu, o lavdia ime! Zgjohu ti, o harpë dhe lirë, se dua të zgjoj agimin. Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot, do të këndoj për ty mes kombeve. Se mirësia jote lartohet deri në qiell, besnikëria jote deri ndër re. Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi, lavdia jote mbuloftë tokën mbarë! Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit. A flisni vërtet me drejtësi, o të fuqishëm? A i gjykoni drejt bijtë e njerëzve? Ja, në zemër ju bluani padrejtësi, duart tuaja gatisin dhunë mbi tokë. Të paudhët dalin nga udha që në ngjizje, gënjeshtarët mashtrojnë që në bark të nënës. Helmi i tyre është si helmi i gjarprit, janë si nepërka e shurdhët, që mbyll veshët, për të mos e dëgjuar zërin e shortarit, të atij që magjeps me mjeshtëri. O Perëndi, thyejua dhëmballët në gojë, o Zot, copëtojua dhëmbët luanëve! U derdhshin si ujërat që rrjedhin! Kur të marrin shenjë, shigjetat e tyre u dërrmofshin. U bëfshin si kërmilli që tretet e shkon, si i dështuari prej gruas, diellin mos e pafshin. Para se enët tuaja të ndiejnë flakën e ferrishtave, i përpiftë vorbulla, të njoma e të thata. Do të gëzojë i drejti, kur të shohë hakmarrjen, këmbët do t'i lajë në gjakun e të paudhëve. E njerëzia do të thonë: «Paska vërtet shpërblim për të drejtin! Paska Perëndi, që gjykon mbi tokë». Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit. Kur Sauli dërgoi njerëz që t'i rrethonin shtëpinë e ta vrisnin. Shpëtomë nga armiqtë e mi, o Perëndi, prej kundërshtarëve të mi mbromë. Shpëtomë nga ata që bëjnë paudhësi, prej njerëzish gjakatarë çliromë. Ja, kanë ngritur pritë për të më vrarë, të fortët janë vërsulur kundër meje, por unë nuk kam as faj e as mëkat, o Zot. Edhe pse s'kam faj, ata janë bërë gati me nxitim. Ngrihu, pra! Eja pranë meje dhe shiko! Ngrihu, o Zot, Perëndi i ushtrive, ndëshkoji të gjitha kombet ti, o Perëndi i Izraelit, mos ki mëshirë për asnjë tradhtar të paudhë. Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet. Ja, shkumë u del nga goja, nga buzët lëshojnë shpata: «E pse», thonë, «Kush na dëgjon?». Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta, me të gjitha kombet do të tallesh. O fuqia ime, ty po të pres, se ti, o Perëndi, je streha ime. Perëndia im do të vijë tek unë tërë mirësi. Perëndia do të më dëftejë shkatërrimin e armiqve të mi. Mos i vrit, që të mos harrojë populli im, por shpërndaji me fuqinë tënde, rrëzoji përdhe, o Zot, mburoja jonë! Mëkat është çdo fjalë që u del prej goje. Rënçin në lakun e krenarisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe gënjeshtrave që thonë. Shkatërroji me zemërimin tënd, shkatërroji që të mos jenë më! Le ta dinë se Perëndia sundon mbi Jakobin e deri në skajet e tokës. Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet. Hapërdahen për të gjetur ushqim e, kur nuk ngopen, kuisin tërë natën. Por unë do t'i këndoj fuqisë sate, që në mëngjes do të brohoras për mirësinë tënde, se në ditën e fatkeqësisë sime, ti ke qenë streha e mburoja ime. O fuqia ime, ty do të të thur himne, se ti, o Perëndi, je mburoja ime, je Perëndia im plot mirësi. Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Dëshmia e Zambakut». Himn i Davidit, për mësim. Kur luftoi kundër Aram Naharaimit dhe Aramit të Cobahut dhe kur Joabi, në kthim, mposhti dymbëdhjetë mijë luftëtarë të Edomit në luginën e Kripës. O Perëndi, na ke hedhur poshtë e na ke dërrmuar, ke qenë i zemëruar, por tani na përtëri! E trande dheun dhe e çave, shëroja të çarat, se po lëkundet. E bëre popullin tënd të shohë mynxyra, na dhe të pimë verë që të trullos. Por atyre që të druajnë u dhe një shenjë, që të ikin larg sulmit të shigjetës. Shpëtona me të djathtën tënde e dëgjona, që ta fitojnë lirinë ata që të duan. Perëndia foli në shenjtëroren e tij: «Do të ngadhënjej e do ta ndaj Shekemin, luginën e Sukotit do ta mat. Imi është Gileadi, imi Manaseu, Efraimi është përkrenarja ime, Juda skeptri im. Moabi legeni ku lahem, në Edom i hedh sandalet, o Filiste, brohorit për mua ». Kush do të më çojë deri në fortesë? Kush do të më prijë deri në Edom? A nuk je ti, o Perëndi, që na ke hedhur poshtë, ti, që me ushtritë tona nuk marshon më? Dërgona ndihmën tënde kundër armikut, se ndihma e njeriut është e kotë. Me Perëndinë do të bëhemi të fortë, ai do t'i shtypë armiqtë tanë. Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Davidit. Dëgjoje, o Perëndi, përgjërimin tim, vëre re lutjen time. Të thërras nga skaji i tokës, se më ka lëshuar zemra. Më pri drejt shkëmbit, që ngrihet më lart se unë. Se ti ke qenë streha ime, kështjellë e fortë përballë armikut. Përjetë dua të banoj në tendën tënde, të gjej strehë nën hijen e krahëve të tu. Ti, o Perëndi, i ke pranuar zotimet e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që të druajnë. Shtoju ditë ditëve të mbretit, zgjati vitet e tij brez pas brezi. Mbretëroftë përjetë në prani të Perëndisë, e ruajtshin mirësia dhe besnikëria jote. Kështu, do t'i këndoj përherë emrit tënd, do t'i përmbush zotimet e mia ditë pas dite. Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit. Veç në Perëndinë prehet shpirti im, prej tij më vjen shpëtimi. Vetëm ai është shkëmbi e shpëtimi im, ai është streha ime e më nuk do të trandem. Deri kur do të vërsuleni kundër një njeriu, që ta hidhni përtokë të gjithë bashkë, si murin e shtrembët, si gardhin e prishur? Kërkojnë t'ia nëpërkëmbin nderin, gjejnë kënaqësi në gënjeshtra. Me gojë bekojnë, por me zemër mallkojnë. Veç në Perëndinë prehu, o shpirti im, se tek ai kam shpresë. Vetëm ai është shkëmbi e shpëtimi im, ai është streha ime e nuk do të trandem. Te Perëndia është shpëtimi e nderi im, te Perëndia, kështjella e fortë dhe streha ime. Ki besim tek ai në çdo kohë, o popull, hape zemrën përpara tij, Perëndia është streha jonë. Bijtë e njeriut janë veç avull, kotësi janë bijtë e çdonjërit; vëri në peshore e do të shohësh se janë më të lehtë se tymi. Mos kini besim te dhuna, mos e varni shpresën te grabitja, edhe kur pasuritë t'ju shtohen, zemrën mos ua kushtoni. Një herë foli Perëndia, dy herë unë e dëgjova, se pushteti i përket Perëndisë; mirësia është e jotja, o Zot, ti e shpërblen njeriun sipas veprave të tij. Psalm i Davidit, kur ishte në shkretëtirën e Judës. O Perëndi, Perëndia im, ty të kërkoj. Për ty ka etje shpirti im, ty të dëshiron trupi im në këtë tokë të thatë, të shkretë e pa ujë. Në shenjtërore erdha e të sodita, pashë fuqinë e lavdinë tënde. Mirësia jote është më e mirë se jeta, buzët e mia do të të lavdërojnë. Do të të bekoj gjithë jetën time, duart do t'i ngre në emrin tënd. Do të ngihem me gjithë të mirat, goja ime do të të lavdërojë me buzë të hareshme. Edhe në shtrat ty të kujtoj, të kam ndër mend në çdo orë të natës, se ti më je bërë ndihmë, nën hijen e krahëve të tu brohoras. Te ti kapet fort shpirti im, e djathta jote më mban. Rënçin në thellësi të tokës ata që duan të më rrënojnë. Rënçin nga tehu i shpatës, pre u bëfshin për çakejtë. Por mbreti do të gëzohet me Perëndinë. Kush betohet në emrin e Perëndisë do të fitojë lavdi dhe goja e gënjeshtarëve do të mbyllet. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Dëgjoje zërin e rënkimit tim, o Perëndi, ruaje jetën time prej armikut të tmerrshëm. Më fshih larg prej kurthit të keqbërësve, prej turmës së atyre që bëjnë paudhësi. Gjuhën e kanë mprehur si shpatën, prej harkut të ndehur lëshojnë fjalë të hidhura, për të shigjetuar në fshehtësi të përkryerin; e gjuajnë papandehur e frikë nuk kanë. I japin forcë njëri-tjetrit për të bërë të keqen, mendojnë si t'i fshehin kurthet, thonë: «Kush ka për t'i parë?». Shestojnë padrejtësi e thonë: «Jemi gati, kurthin e kemi menduar mirë». Humnerë e thellë qenia e njeriut dhe zemra e tij! Por, Perëndia do t'i shigjetojë e papritur do t'i mbulojnë plagët. Gjuha e vet do t'i shkatërrojë, të gjithë sa do t'i shohin, do të tundin kokën. Mbarë njerëzinë do ta zërë frika, do të shpallin veprat e Perëndisë, do të kuptojnë ç'ka bërë ai. I drejti do të gëzohet në Zotin, e tek ai do të gjejë strehë. Të gjithë zemërdrejtët do të krenohen. Mjeshtrit të Korit. Psalm i Davidit. Këngë. Ty, o Perëndi, të përket lavdia në Sion dhe për ty do të mbahet betimi. Te ti, që dëgjon çdo lutje, do të vijë çdo krijesë. Paudhësitë ngadhënjyen mbi ne, por ti na i fal shkeljet. Lum njeriu që ti zgjedh dhe e afron! Ai do të banojë në oborret e tua. Do të kënaqemi me mirësinë e shtëpisë sate, me tempullin tënd të shenjtë. Na përgjigjesh me mrekulli e drejtësi, o Perëndi, shpëtimtari ynë, shpresa e mbarë skajeve të tokës dhe e deteve të largët. Ti i ngul malet me fuqinë tënde, i ngjeshur me pushtet. Ti fashit tërbimin e deteve, ulërimën e valëve të tyre dhe trazirat e popujve. Banorët e skajeve të tokës dridhen nga shenjat e tua. Në lindje e në perëndim i bën të brohorasin. Ti kujdesesh për tokën dhe ujin, shumë të begatë e bën. Lumi yt është plot, o Perëndi, ti u jep njerëzve drithin, ti e bën gati tokën. Hullitë e saj i ngin me ujë, plisat ia thërrmon, me shira e zbut, të mbjellat ia bekon. Ti e kurorëzon vitin me mirësinë tënde, ku shkel ti rrjedh begatia. Kullotat e shkretëtirës gufojnë prej saj, kodrinat vishen me hare. Livadhet mbulohen me kope, luginat me drithë; brohorasin e këndojnë nga gëzimi. Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm. Brohoritni për Perëndinë gjithë ju banorët e tokës! Këndojini emrit të tij të lavdishëm, bëjeni të madhërishëm përlëvdimin e tij! Thuajini Perëndisë: «Të mrekullueshme janë veprat e tua! Aq e madhërishme është fuqia jote, sa armiqtë të bëjnë lajka. Gjithë banorët e tokës përkulen para teje e të këndojnë himne, i këndojnë himne emrit tënd». Ejani e shihni ç'ka bërë Perëndia, sa i mrekullueshëm është kur vepron për njerëzit. Detin e shndërroi në tokë të thatë, lumin e kaluan në këmbë, prandaj le të gëzojmë në të. Ai sundon në amshim me fuqinë e tij, sytë e tij vëzhgojnë kombet, kryeneçët të mos krenohen. Bekoni, o popuj, Perëndinë tonë dhe le të dëgjohet zëri i përlëvdimit. Ai na jep jetë, e nuk lejon të na rrëshqasin këmbët. Ti na vure në provë, o Perëndi, na sprovove si argjendin në zjarr. Na bëre të biem në kurth, barrë të rëndë na ngarkove. I le njerëzit të na hipin në qafë, përmes zjarrit dhe ujit kaluam, por ti na nxore në vend të begatë. Me fli shkrumbimi do të hyj në shtëpinë tënde, betimet e bëra do t'i mbaj, betimet që shqiptuan buzët e mia, që goja ime tha kur isha ngushtë. Do të të kushtoj fli të majme shkrumbimi, bashkë me aromën e deshve që digjen, qe e cjep do të të flijoj. Ejani e dëgjoni të gjithë ju që Perëndinë druani, do t'ju tregoj ç'bëri për mua. Atij i thirra me gojën time, me gjuhën time e madhërova. Po të kisha ligësi në zemrën time, Zoti nuk do të më dëgjonte. Por Perëndia më dëgjoi dhe e mbajti vesh lutjen time. Bekuar qoftë Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time e as nga mirësia e tij nuk hoqi dorë. Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm. Këngë. Perëndia pastë mëshirë për ne e na bekoftë, fytyra e tij mbi ne ndriçoftë. Udha jote do të jetë e njohur mbi tokë dhe mes gjithë kombeve shpëtimi yt. Të përlëvdofshin popujt, o Perëndi, mbarë popujt ty të përlëvdofshin! Le të gëzojnë kombet e të brohorasin, se ti i gjykon me drejtësi popujt dhe kombet e tokës ti i udhëheq. Të përlëvdofshin popujt, o Perëndi, mbarë popujt ty të përlëvdofshin! Toka e dha frytin e vet. Na bekoftë Perëndia, Perëndia ynë! Perëndia na bekoftë dhe frikë e paçin tërë skajet e tokës! Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Këngë. U ngrittë Perëndia e u shpërndafshin armiqtë e tij, ata që e urrejnë ikshin prej tij. I zhduksh ata ashtu siç davaritet tymi, siç shkrin dylli prej zjarrit, ashtu u shfarosshin të paudhët para Perëndisë. Por të drejtët gëzojnë, para Perëndisë ngazëllejnë e plot hare brohorasin. Këndojini Perëndisë, këndojini himne emrit të tij, hapini udhë atij që kalëron në shkretëtirë, Zot është emri i tij, ngazëlleni para tij. Atë i jetimëve dhe mbrojtës i vejushave është Perëndia në banesën e tij të shenjtë. Perëndia strehon të vetmuarit, çliron të robëruarit, por kryeneçët banojnë në djerrinë. O Perëndi, kur i prive popullit tënd, kur marshove në shkretëtirë, toka u drodh e qiejt u zbrazën para teje, Perëndisë së Sinait, para Perëndisë së Izraelit. Shi të begatshëm dërgove, o Perëndi, trashëgiminë tënde të drobitur përtërite. Aty banoi grigja jote, o Perëndi, ti u kujdese tërë mirësi për të mjerin. Zoti tha një fjalë, të shumta janë lajmëtaret: «Arratinë marrin mbretërit e ushtrive, arratinë marrin, gratë e shtëpive ndajnë prenë. Edhe nëse shtriheni mes tufave për të pushuar, krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë nga argjendi, pendët e saj praruar janë nga ari. Kur i gjithëpushtetshmi shpartalloi mbretërit, mali i Calmonit zbardhi nga dëbora». Mal madhështor është mali i Bashanit, mal me thepa mali i Bashanit. Përse, o male të thepisura, me smirë e shikoni malin që Perëndia për banesë zgjodhi? Atje do të banojë përgjithmonë Zoti. Karrocat e Perëndisë janë me mijëra, me mijëra e dhjetëra mijëra, mes tyre qëndron Zoti, ashtu si në Sina, tërë shenjtëri. U ngjite në lartësi, zure robër, dhurata prej njerëzve e prej kundërshtarëve more, që atje të banosh, o Zot Perëndi. Bekuar qoftë ditë për ditë Zoti, Perëndia që kujdeset për ne, ai që na shpëton. Perëndia ynë është Perëndi që shpëton, prej Zotit Perëndi vjen shpëtimi nga vdekja. Perëndia do t'ua copëtojë kryet armiqve, kokat tërë flokë atyre që ecin në udhë ligësie. Zoti tha: «Do t'i kthej nga Bashani, nga thellësia e detit do t'i kthej, që këmbët t'i zhytësh në gjakun e armiqve, që gjuha e qenve të tu të lëpijë pjesën e vet». E panë shpurën tënde, o Perëndi, shpurën e Perëndisë tim, mbretit tim, tek hynte në shenjtërore. Para ecnin këngëtarët, pas u vinin muzikantët, mes vashave që u binin dajreve. Bekoni Perëndinë nëpër kuvende, bekoni Zotin, ju prej gurrës së Izraelit. Atje u prin Benjamini, më i vogli, pas vijnë prijësit e Judës me trupën e tyre, prijësit e Zabulonit, prijësit e Neftaliut. Perëndia yt urdhëroi të kesh fuqi, fuqinë që Perëndia e shfaqi për ne. Për hir të tempullit tënd në Jerusalem, dhurata do të të sjellin mbretërit. Kanosi egërsirat e kallamishteve, tufën e demave bashkë me viçat e popujve, që të nënshtrohen e pllaka argjendi të sjellin. Shpërndaji popujt që luftës i gëzohen. Dërgata do të vijnë nga Egjipti, Kushi duart do të shtrijë kah Perëndia. O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë, këndojini himne Zotit, atij që kalëron mbi qiejt e qiejve të lashtë, atij që ngre zërin, zërin e tij të fuqishëm. Shpallni fuqinë e Perëndisë, madhëria e tij qëndron mbi Izraelin, fuqia e tij më lart se retë. I mrekullueshëm je, o Perëndi, në shenjtëroren tënde! Perëndia i Izraelit i jep fuqi e forcë popullit të vet. Bekuar qoftë Perëndia! Mjeshtrit të korit. Në «Melodinë e Zambakut». I Davidit. Shpëtomë, o Perëndi, se më arriti uji gjer në fyt. Jam zhytur thellë në baltë e s'kam ku të mbështetem, kam rënë në ujëra të thella e po më rrëmben rrjedha. U këputa nga britmat e gryka më është tharë, m'u errësuan sytë Perëndinë tim duke pritur. Më të shumtë se qimet e kokës janë bërë ata që më urrejnë kot. Ata që duan të më shkatërrojnë, armiqtë e mi mashtrues, janë bërë të fortë. E unë u dashka të kthej atë që nuk kam vjedhur! O Perëndi, ti e njeh marrëzinë time, fajet e mia nuk janë të fshehura prej teje. Mos u turpërofshin me mua ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zot i ushtrive, mos u poshtërofshin prej meje ata që të kërkojnë ty, o Perëndi i Izraelit. Për ty durova poshtërime dhe fytyrën turpi ma mbuloi. I huaj u bëra për vëllezërit e mi, i panjohur për bijtë e nënës sime. Zelli për shtëpinë tënde më përpiu, poshtërimet e atyre që të përbuzin ranë mbi mua. Qava e agjërova, por edhe kjo më solli poshtërim. Grathore vesha si rrobë e u bëra gazi i tyre. Më përgojuan ata që rrinë portave, pijanecët më bënë këngë. Por unë lutjen time ta drejtoj ty, o Zot, në kohën e duhur, në mirësinë tënde të madhe, përgjigjmu, o Perëndi, e më jep shpëtimin tënd të vërtetë. Nxirrmë nga balta, që të mos fundosem, çliromë prej atyre që më urrejnë e prej ujërave të thella. Mos më rrëmbeftë rrjedha e ujërave, thellësia e humnerës mos më përpiftë e gryka e pusit mos u mbylltë mbi mua. Përgjigjmu, o Zot, se e mirë është besnikëria jote, kthehu drejt meje, sipas dhembshurisë sate të madhe. Mos e fshih fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, përgjigjmu sa më shpejt, se jam ngushtë. Afrohu tek unë e shpëtomë, prej armiqve të mi çliromë. Ti e njeh poshtërimin tim, turpin dhe çnderimin tim, armiqtë e mi janë të gjithë para teje. Poshtërimi ma theu zemrën e fuqitë më lanë, prita ndonjë që t'i vinte keq për mua, por më kot, ndonjë që të më ngushëllonte, por nuk gjeta. Më hodhën helm në ushqim e, për të më shuar etjen, më dhanë të pi uthull. Lak u bëftë për ta tryeza e tyre e për miqtë e tyre grackë. Iu errshin sytë e më mos pafshin, ijët e tyre përgjithmonë u dridhshin. Derdh mbi ta zemërimin tënd, flaka e zemërimit tënd i përpiftë. Fushimi i tyre u shkretoftë, në tendat e tyre mos banoftë njeri, se mundojnë atë që qortove ti e përgojojnë dhimbjet e atij që plagose ti. Shtoji paudhësi paudhësisë së tyre, që të mos kenë pjesë në drejtësinë tënde. U fshifshin nga libri i të gjallëve e mos u shkrofshin me të drejtët. Por unë jam i mjerë e plot dhimbje, shpëtimi yt, o Perëndi, më mbroftë. Do ta lavdëroj emrin e Perëndisë me këngë, do ta madhëroj me falënderime. Kjo i pëlqen Zotit më tepër se demi, më tepër se kau me brirë e thundra. Le të shohin të mjerët e le të gëzojnë. Juve që kërkoni Perëndinë, ju përtëriftë zemra, se Zoti i dëgjon të mjerët e të robëruarit e tij nuk i përçmon. Le ta lavdërojnë qiejt e toka, detet e gjithçka që lëviz në to. Se Perëndia do ta shpëtojë Sionin e qytetet e Judës do t'i rindërtojë. Aty do të banojnë e do ta trashëgojnë. Pasardhësit e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojnë, ata që duan emrin e tij aty do të banojnë. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Si kujtesë. Shpëtomë, o Perëndi, o Zot, shpejto të më ndihmosh. U turpërofshin e u çnderofshin ata që jetën duan të ma marrin, u zmbrapsshin e u poshtërofshin ata që më duan të keqen. Pas u kthefshin të turpëruar ata që për mua thonë: «Mirë t'i bëhet!». Të gjithë ata që të kërkojnë gëzofshin e ngazëllefshin me ty, ata që duan shpëtimin prej teje thënçin përherë: «I madh është Perëndia!». Por unë jam i mjerë e nevojtar, o Perëndi, shpejto të më vish pranë. Ti je ndihma dhe shpëtimtari im, o Zot, mos vono. Te ti, o Zot, kërkova strehë, mos lejo të turpërohem asnjëherë. Sipas drejtësisë sate shpëtomë e çliromë, prire veshin drejt meje e shpëtomë. Bëhu për mua shkëmbi, ku gjej përherë strehim. Ti ke urdhëruar shpëtimin tim, se ti je shkëmbi dhe fortesa ime. O Perëndia im, shpëtomë nga dora e të paudhit, nga kthetra e keqbërësit dhe e shtypësit. Se ti, o Zot, je shpresa ime, te ti, o Zot, kam besim që në rini. Te ti jam mbështetur që në bark të nënës, prej barkut të saj ti më nxore, ty të përlëvdoj përherë. Për shumë njerëz u bëra si shenjë mrekullie, se ti ke qenë streha ime e fortë. Goja ime është plot lavde për ty, tërë ditën ty të madhëron. Mos më hidh poshtë në pleqëri, mos më braktis kur të më lënë fuqitë. Ja, armiqtë e mi po flasin kundër meje, ata që më përgjojnë, po shestojnë bashkë. «Perëndia e ka braktisur», thonë. «Ndiqeni pas e kapeni, se nuk ka kush ta shpëtojë». O Perëndi, mos u largo prej meje, o Perëndia im, shpejto të më ndihmosh! U turpërofshin e u shofshin kundërshtarët e shpirtit tim, u poshtërofshin e u turpërofshin ata që më duan të keqen. E unë do të shpresoj gjithmonë te ti, do të të lavdëroj gjithnjë e më shumë. Goja ime do të shpallë drejtësinë tënde, gjithë ditën do të kumtojë shpëtimin tënd, që nuk di ta mat. Do të shpall veprat e fuqishme të Zotit, Zotit tim, do të sjell ndër mend drejtësinë që është vetëm e jotja. O Perëndi, ti më ke mësuar që në rini, e deri tani unë shpall mrekullitë e tua. As kur të plakem e të thinjem, mos hiq dorë prej meje, o Perëndi, derisa t'ia shpall pushtetin tënd kësaj breznie, fuqinë tënde të gjithë atyre që do të vijnë. Drejtësia jote, o Perëndi, arrin lartësitë, se ti ke bërë vepra madhështore. O Perëndi, kush është i ngjashëm me ty? Ti, që më dhe shumë fatkeqësi e mjerime, ti do të ma përtërish jetën, nga thellësitë e tokës do të më nxjerrësh, lart do të më ngresh sërish. Do të më japësh më shumë madhështi. Do të kthehesh e do të më ngushëllosh. E unë do të të përlëvdoj me tingullin e lirës, besnikërisë sate do t'i këndoj, o Perëndia im, do të të himnoj me harpë, o i shenjti i Izraelit. Buzët e mia do të ngazëllejnë, kur të këndojnë për ty, bashkë me shpirtin tim, që ti e shpengove. Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, u turpërofshin e u poshtërofshin ata që ma duan të keqen. I Solomonit. O Perëndi, dhuroja mbretit gjykimet e tua e drejtësinë tënde birit të mbretit, që popullin tënd ta gjykojë me drejtësi e skamnorëve të tu t'u japë të drejtën. Malet le t'i sjellin paqe popullit e kodrat drejtësi. Mbreti le t'u japë drejtësi skamnorëve të popullit, bijtë e nevojtarëve le t'i shpëtojë e shtypësin ta dërrmojë. Të paçin frikë brez pas brezi, sa të ketë diell e sa të ketë hënë. Le të zbresë si shiu mbi luadh të kositur, si rrebeshi që ujit tokën. Në ditët e tij le të lulëzojë i drejti e paqe të madhe le të ketë, derisa të mos jetë më hëna. Le të sundojë nga deti në det, nga lumi deri në skajet e tokës. Përpara tij le të përkulen banorët e shkretëtirës dhe armiqtë e tij le të lëpijnë pluhurin. Mbretërit e Tarshishit e ishujt le t'i sjellin tagrin, mbretërit e Shebës e të Sebës, dhurata. Para tij le të përkulen gjithë mbretërit, gjithë kombet atij t'i shërbejnë. Se ai do ta shpëtojë nevojtarin që thërret e skamnorin që s'e ndihmon askush. Do t'i dhimbset i dobëti e nevojtari, nevojtarëve do t'ua shpëtojë jetën. Do t'i shpëtojë nga shtypja e dhuna, gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij. Rroftë mbreti e prej arit të Shebës marrtë! U lutshin për të pa pushim, gjithë ditën e bekofshin! Toka dhëntë drithë me shumicë, majave të maleve u valëvitshin kallinjtë, prodhimi i tyre qoftë i begatë si Libani, prej qytetit lulëzofshin si bari i fushës. Emri i tij mbettë përjetë! Emri i tij qëndroftë sa të jetë dielli! Në të u bekofshin njerëzit, gjithë kombet e quajtshin të lum. Bekuar qoftë Zoti Perëndi, Perëndia i Izraelit, i vetmi që bën mrekulli! Bekuar qoftë përjetë edhe emri i tij i lavdishëm e me lavdinë e tij u mbushtë tërë toka! Amen! Amen! Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Jeseut. Psalm i Asafit. Sa i mirë është Perëndia për Izraelin, për ata që e kanë zemrën të pastër! E mua gati m'u morën këmbët, për pak m'u ngatërruan hapat. Lakmi i pata mburravecët, kur pashë mirëqenien e të paudhëve. Nuk kanë dhimbje deri në vdekje, barkun e kanë tërë dhjamë. Nuk vuajnë si vdekatarët e tjerë, nuk mundohen si njerëzit e tjerë. Krenaria stolis qafat e tyre, dhuna i mbulon si petk. U pëlcasin sytë prej dhjamit, prej zemrave u burojnë dëshirime. Përqeshin e flasin me ligësi, nga lart kërcënojnë me shtypje. E hapin gojën edhe kundër qiellit, gjuha e tyre përshkon tokën. Prandaj populli im kthehet drejt tyre dhe pinë prej ujërave të tyre të shumtë. «E si e ditka Perëndia», thonë, «Nga e marrka vesh i Tejlarti?». Ja, këta janë të paudhët! Përherë të qetë, por grumbullojnë pasuri. Më kot e kam mbajtur zemrën të pastër, më kot i kam larë duart në pafajësi! Tërë ditën kam pësuar fshikullima e jam munduar deri në mëngjes. Po të kisha thënë: «Do të flas si ata», do të kisha tradhtuar brezninë e bijve të tu. U përpoqa ta kuptoj këtë, por m'u errën sytë. Vetëm kur hyra në shenjtëroren e Perëndisë, vetëm atëherë e kuptova fundin e tyre. Ja, i ke vendosur në vend të rrëshqitshëm, i plandose në rrënim. Si u shkatërruan kështu përnjëherë! U sosën e morën fund me tmerr! Si ëndrrën e atij që zgjohet, o Zot, ashtu do ta përçmosh në agim pamjen e tyre. Kur më hidhërohej zemra, e veshkat më thernin, isha i marrë e nuk kuptoja, para teje isha si kafshë. Por ja, unë jam gjithmonë me ty, ti më mban dorën e djathtë. Ti më udhëheq me këshillat e tua, e pastaj do të më marrësh me lavdi. Kë tjetër kam unë në qiell? Veç teje, mbi tokë, s'dua tjetër. Më janë ligështuar trupi e zemra, por shkëmbi i zemrës sime dhe trashëgimia ime është Perëndia në amshim. Ja, ata që janë larg teje do të shfarosen, ti i zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë. Por për mua është mirë të qëndroj pranë Perëndisë, të kërkoj strehë te Zoti, Zoti im, për t'i shpallur të gjitha veprat e tij. Himn i Asafit. Përse na hodhe poshtë përgjithnjë, o Perëndi? Përse vlon zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate? Kujto bashkësinë tënde që nga kohët e lashta fitove, fisin, që shpëtove dhe trashëgiminë tënde e bëre, malin e Sionit, ku banesën vure. Drejtoji hapat e tu drejt këtyre rrënojave të përhershme, armiku shkatërroi gjithçka në shenjtërore. Armiqtë e tu ulërijnë në vendin tënd të shenjtë, kanë ngritur emblemat e tyre. Na u dukën si ata që vërvitin sëpatat brenda në pyllin e dendur. E tani me sëpata e me sakica po ia thyejnë të gjitha gdhendjet. I vunë zjarrin shenjtërores sate, e rrafshuan, e përdhosën banesën e emrit tënd. E thanë me vete: «T'i shfarosim të gjithë!». I dogjën të gjitha vendet e shenjta të Perëndisë në këtë tokë. Nuk i shohim më emblemat tona, as profet nuk ka më, e askush nga ne nuk e di edhe sa kohë do të zgjatë. Deri kur, o Perëndi, do të të poshtërojë armiku? Përgjithmonë do ta përbuzë kundërshtari emrin tënd? Përse e ke tërhequr dorën tënde? Të djathtën tënde përse e mban në gji? O Perëndi, ti je mbreti im që në lashtësi, ai që sjell shpëtimin mbi tokë. Me fuqinë tënde e ndave detin, përbindëshave të ujit u thërrmove kokën. Ti ia shtype kokën Leviatanit, ia dhe për ushqim popullit të shkretëtirës. Ti bëre të gëlojnë burime e përrenj, ti thave lumenj të pashtershëm. Jotja është dita, jotja edhe nata, ti e krijove ndriçuesin dhe diellin. Ti i caktove tërë kufijtë tokës, ti e përftove verën edhe dimrin. Kujtohu, o Zot, se armiku të ka poshtëruar, se një popull i marrë ka përbuzur emrin tënd. Mos ua jep bishave shpirtin e turtulleshës sate, mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu. Përfille besëlidhjen tënde, se vendet e errëta të tokës janë mbushur me strofka dhune. I shtypuri mos u ktheftë i poshtëruar, skamnori e nevojtari përlëvdofshin emrin tënd. Ngrihu, o Perëndi, mbroje çështjen tënde, kujto poshtërimet që të bën i marri tërë ditën! Mos e harro britmën e armiqve të tu, ulërimën e kundërshtarëve të tu, që ngjitet lart pa pushim. Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Psalm i Asafit. Këngë. Të përlëvdojmë, o Perëndi, ty të përlëvdojmë! Emrin tënd thërrasim, mrekullitë e tua shpallim. «Ja, kur të vijë koha që kam caktuar, do të gjykoj me drejtësi. Le të trandet toka me gjithë banorët e saj, jam unë që ia mbaj fort shtyllat. Krenarëve u thashë: “Mos u krenoni!”, të paudhëve: “Mos ngrini krye! Mos i ngrini shumë lart kryet, mos flisni me kokëfortësi”». As nga lindja, as nga perëndimi, as nga shkretëtira nuk vjen lartësimi, se gjykatës është Perëndia. Këtë e përul, atë lart e ngre. Zoti mban në dorë një kupë vere, plot shkumë e plot me erëza, e prej saj jep për të pirë. Gjithë të paudhët e tokës do të pinë, do ta thajnë me gjithë llum. E unë do të të shpall përherë, himne do t'i këndoj Perëndisë së Jakobit. Do t'ua thyej kryet gjithë të paudhëve, ndërsa i drejti do ta ngrejë kokën lart. Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Asafit. Këngë. I njohur është Perëndia në Judë, i madh është emri i tij në Izrael. Në Salem është vendi i tij, në Sion banesa e tij. Atje harqet flakëruese ai theu, shqytin, shpatën e betejën. Tërë shkëlqim ti je, më madhështor se malet e gjahut! Trimat e paepur u plaçkitën, gjumi i thellë i kishte kapur! Askush prej burrave trima nuk ngrinte dot as dorën. Prej qortimit tënd, o Perëndi i Jakobit, të shtangur mbetën qerre e kuaj. Ti je vërtet i tmerrshëm! Kush të bën dot ballë, kur të ndizet zemërimi? Prej qiellit e shpalle gjykimin, toka u drodh nga frika dhe heshti, kur u ngrit Perëndia për të bërë gjyq, për të shpëtuar gjithë skamnorët e tokës. Se ty edhe zemërimi i njerëzve të jep lavdi e ç'të ketë mbetur ti e ngjesh ijëve. Bëjini premtime Zotit, Perëndisë suaj, e përmbushini ato. Të gjithë ju që e rrethoni sillini dhurata të Tmerrshmit. Ai i lë pa frymë prijësit, atë e druajnë të gjithë mbretërit e tokës. Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Asafit. Me zërin tim i thërras Perëndisë, me zërin tim i drejtohem Perëndisë dhe ai më dëgjon. E kërkova Zotin ditën e fatkeqësisë sime, tërë natën i ngrita duart drejt tij pa u lodhur, por shpirti im nuk gjeti ngushëllim. Kujtoj Perëndinë e ofshaj, përsiatem e më merret fryma. Qepallat e syve m'i ke mbajtur hapur ti, jam i tronditur e nuk flas dot. Më kujtohen ditët e shkuara, vitet e kaluara qëmoti. Më kujtohen këngët e mia, natën mendoj në zemrën time, shpirti im kërkon të dijë. A mos ka hequr dorë Zoti përgjithmonë? Mos nuk do të na përkrahë më? Mos mori fund përgjithmonë mirësia e tij? Kaq ishte premtimi i tij brez pas brezi? Mos ka harruar Perëndia të ketë mëshirë? Mos nuk është më i dhembshur, se është i zemëruar? Ndaj dhe thashë: «Kjo më lëndon, se ka ndryshuar e djathta e të Tejlartit». Sjell ndër mend veprat e Zotit, më kujtohen mrekullitë e tij të moçme. Përsiat gjithë punët e tua, mendohem për bëmat e tua. O Perëndi, udha jote është e shenjtë, cili perëndi është i madh si Perëndia ynë? Ti je Perëndia që bën mrekulli, fuqinë tënde e shfaqe ndër popuj. Me forcën e krahut tënd e shpëtove popullin tënd, pasardhësit e Jakobit e të Jozefit. Të panë ujërat, o Perëndi, të panë ujërat e u tmerruan, edhe humnerat u drodhën. Retë derdhën ujërat me rrëmbim, mes tyre jehuan gjëmime dhe shigjetat e tua vërshuan. Gjëmimi yt jehoi nëpër stuhi, vetëtimat shndritën botën, toka u drodh e u trand. Nëpër det ishte udha jote, shtigjet e tua mes ujërash të shumtë dhe gjurmët e tua nuk i njihte askush. I prive popullit tënd si grigjës, me dorën e Moisiut dhe të Aronit. Himn i Asafit. Vër re, o populli im, ligjin tim, mba vesh fjalët e gojës sime. Gojën do të hap e do të flas me shëmbëlltyra, do të tregoj të fshehta nga e shkuara. I kemi dëgjuar e i kemi ditur, etërit tanë na i kanë treguar. Nuk do t'ua mbajmë të fshehta bijve të tyre, brezit të ardhshëm do t'ua tregojmë, veprat e lavdishme dhe fuqinë e Zotit, mrekullitë që ai bëri. Ai vendosi një dëshmi për Jakobin, caktoi një ligj në Izrael. Etërve tanë u urdhëroi, që bijve të tyre t'ua shpallin, që t'i njohë edhe breznia e ardhshme, bashkë me fëmijët që do të lindin. E kur të rriten edhe ata, bijve të vet do t'ua tregojnë, që shpresën ta vënë te Perëndia, që veprat e Perëndisë mos t'i harrojnë e urdhërimet e tij t'i mbajnë, që të mos bëhen si etërit e tyre, një brez kokëfortë e kryengritës, një brez me zemër të luhatur e me shpirt të pabesë ndaj Perëndisë. Bijtë e Efraimit, harkëtarë të zotë, ditën e betejës shpinën kthyen. Nuk e mbajtën besëlidhjen e Perëndisë, nuk deshën të ecnin sipas ligjit të tij. I harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte dëftyer. Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli, në tokën e Egjiptit, në fushën e Coanit. E ndau detin e i kaloi përmes, ujërat i ndali e i bëri pirg. Ditën u printe me një re, gjithë natën me dritë flakëruese. Në shkretëtirë çau shkëmbinj, u dha të pinë si nga burimet e thella. Përrenj nxori prej shkëmbit, ujërat i bëri të rrjedhin si lumenj. Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij, në vend të shkretë ngritën krye kundër të Tejlartit. Në zemrat e tyre e tunduan Perëndinë, kërkuan ushqim siç ua kishte ënda. Kundër Perëndisë folën e thanë: «A mundet Perëndia të shtrojë tryezë në mes të shkretëtirës? Ja, ai goditi shkëmbin e ujërat gëluan dhe si përrenj vërshuan. Por, a mundet t'i japë edhe bukë e mish t'i gatitë popullit të vet?». I dëgjoi Zoti e fort u zemërua, zjarri u ndez kundër Jakobit, zemërimi vloi kundër Izraelit, se nuk besuan në Perëndinë e as shpresuan në shpëtimin e tij. Por ai urdhëroi retë prej së larti, dyert e qiellit i hapi. Si shi ua dërgoi manën për ushqim e grurë prej qiellit u dha. Çdonjëri hëngri bukë engjëjsh, u dha ushqim sa u ngopën. Në qiell ngriti erën e lindjes, me pushtetin e tij bëri të fryjë shiroku. Bëri të bjerë mish mbi ta si pluhuri, shpendët fluturues si rëra e detit. I bëri të bien mes fushimit të tyre, rreth e rrotull tendave të tyre. Hëngrën e mirë u ngopën, çka donin ua dha. Ende nuk ishin ngopur mirë e ushqimin e kishin në gojë, kur zemërimi i Perëndisë u ndez kundër tyre. Më të fortët prej tyre i vrau, të rinjtë e Izraelit i plandosi. E megjithatë mëkatuan sërish dhe në mrekullitë e tij nuk besuan. Ditët e tyre u përfunduan në kotësi, vitet e tyre patën fund të tmerrshëm. Kur i vriste, atëherë e kërkonin, ktheheshin dhe Perëndinë dëshironin. Kujtoheshin se Perëndia ishte shkëmbi i tyre, Perëndia, i Tejlarti, shpenguesi i tyre. Por, me gojë e mashtronin, me gjuhën e tyre i thoshin rrena. Zemra e tyre nuk ishte përherë me të, besëlidhjes së tij nuk i qëndruan besnikë. Por ai është i dhembshur e paudhësinë ua falte. Nuk i shkatërronte, zemërimin shpesh e ndalte dhe furinë e tij nuk e linte të flakëronte. Kujtohej se ishin prej mishi, si era që shkon e më nuk kthehet. Sa herë iu ngritën kundër në shkretëtirë! Sa herë e hidhëruan në vend të shkretë! Ktheheshin dhe prapë e tundonin Perëndinë, e trishtonin të shenjtin e Izraelit. Nuk u kujtohej më dora e tij e fuqishme, dita kur i çliroi prej armikut: shenjat, që kishte bërë në Egjipt, veprat e mrekullueshme në fushën e Coanit. Lumenjtë e armikut i kishte kthyer në gjak, edhe rrjedhat e ujit, që të mos pinin më. U dërgoi mori grethash, që t'i thumbonin, bretkosa, që t'i shkatërronin. Të korrat e tyre ua dha krimbave, karkalecave mundin e tyre. Vreshtat ua rrënoi me breshër, pemët e fikut me brymë. Me breshër ua goditi edhe bagëtinë, me rrufe, gjënë e gjallë. Dërgoi mbi ta flakën e zemërimit të tij, furinë, mërinë e fatkeqësinë; u dërgoi engjëj të këqij. I hapi udhë zemërimit të tij, jetën prej vdekjes nuk ua kurseu, por i la në dorë të murtajës. Shfarosi çdo të parëlindur në Egjipt, frytin e parë të fuqisë së tyre në tendat e Kamit. Si dhentë e ngriti prej andej popullin e tij, u priu në shkretëtirë porsi grigjës. I udhëhoqi me kujdes e frikë nuk patën, armiqtë e tyre i mbuloi deti. I çoi në vendin e tij të shenjtë, në malin, që kishte fituar e djathta e tij. Dëboi kombe para tyre e tokën ua ndau me short për trashëgim. Fiset e Izraelit i vuri të banojnë nëpër tendat e tyre. Por ata e tunduan përsëri, ngritën krye kundër Perëndisë, të Tejlartit, e dëshmitë e tij nuk i mbajtën. U shmangën e, si etërit e tyre, të pabesë u treguan, si harku i shtrembër, ata dredhuan. Me faltoret në vende të larta e bënë të zemërohet, me idhujt e gdhendur ia ndezën furinë. E dëgjoi Perëndia e flakë u ndez, rëndë e përçmoi Izraelin. E braktisi tendën e Shilohut, banesën, që kishte ngritur mes njerëzve. Forcën e tij e la të bjerë në robëri, lavdinë e tij në duart e armikut. Popullin e tij ia dorëzoi shpatës, kundër trashëgimisë së vet flakë u ndez. Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri, vashave nuk u kënduan. Priftërinjtë e tyre ranë prej shpatës, vejushat nuk i vajtuan. E u ngrit Zoti, si prej gjumit, si luftëtari trim, kur e kap vera. Pas shpine u ra armiqve, me turp të përjetshëm i mbuloi. Poshtë e hodhi tendën e Jozefit, fisin e Efraimit nuk e zgjodhi. Zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që fort e deshi. Të lartë shumë e ndërtoi shenjtëroren, ashtu si tokën, e themeloi në amshim. E zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, prej tufave të dhenve e mori. E mori prej deleve që mëndnin, për të kullotur Jakobin, popullin e tij, dhe Izraelin, trashëgiminë e tij. Me zemër të pastër i udhëhoqi, me duar të afta u priu. Psalm i Asafit. Trashëgiminë tënde e kanë pushtuar kombet, o Perëndi, tempullin tënd të shenjtë e kanë përdhosur, Jerusalemin në gërmadhë e kanë kthyer. Kufomat e shërbëtorëve të tu ua dhanë për ushqim shpendëve të qiellit, mishin e besnikëve të tu egërsirave të tokës. Gjakun e tyre e derdhën si ujë përreth Jerusalemit e nuk kishte kush t'i varroste. Jemi bërë tallje për fqinjët tanë, përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë. Deri kur, o Zot? Përjetë do të jesh i zemëruar? A do të ndizet si zjarr furia jote? Derdhe zemërimin tënd mbi kombe që s'të njohin, mbi mbretëri që nuk thërrasin emrin tënd. Se e kanë gllabëruar Jakobin, banesën e tij e kanë shkretuar. Mos na i kujto paudhësitë e së shkuarës, por ardhtë sa më shpejt mëshira jote, se kemi rënë shumë poshtë. Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit tonë, për lavdinë e emrit tënd, na çliro e na i fal mëkatet, për hir të emrit tënd. Përse të thonë kombet: «Ku është Perëndia i tyre?». Le ta marrin, pra, vesh kombet e ne me sytë tanë le ta shohim, hakmarrjen për gjakun e derdhur të shërbëtorëve të tu. Ardhtë para teje gjëma e të robëruarve, me fuqinë e krahut tënd shpëto të dënuarit me vdekje. Shpërblejua shtatëfish fqinjëve tanë mbi kurriz poshtërimin që të bënë ty, o Zot. E ne populli yt, delet e kullotës sate, do të të përlëvdojmë në amshim e brez pas brezi do të shpallim lavdinë tënde. Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Zambakët». Dëshmi. Psalm i Asafit. Ti, o bari i Izraelit, mba vesh, ti që si grigjës i prin Jozefit, ti që ulesh mbi kerubët, shkëlqe. Para Efraimit, Benjaminit e Manaseut ngrije peshë fuqinë tënde e eja të na ndihmosh. O Perëndi, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë. O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar ndaj lutjes së popullit tënd? I ke ushqyer me bukë lotësh, u ke dhënë të pinë kaq shumë lot. Na ke bërë të jemi shkak grindjesh për fqinjët, armiqtë tanë tallen me ne. O Perëndi i ushtrive, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë. Një hardhi prej Egjiptit shkule, dëbove kombe dhe e mbolle. Tokën për të gati e bëre, rrënjë hodhi e dheun mbushi. Hija e saj mbuloi malet, degët e saj cedrat e Perëndisë. Filizat e saj i shtriu deri në det, pinjollët e saj deri në lumë. Gardhin përse ia shthure, që të vjelë prej saj çdo kalimtar? E shkretoi derri i egër, aty kullotin egërsirat e fushës. Kthehu, o Perëndi i ushtrive, hidh sytë prej qiellit, vështroje e kujdesu për këtë hardhi, për atë që mbolli dora jote e djathtë, për pinjollin, që e rrite të fortë për veten tënde. E kanë djegur me zjarr, e kanë prerë; marrshin fund prej kërcënimit të fytyrës sate. Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate, mbi birin e njeriut, që e rrite të fortë për veten. E ne nuk do të largohemi më prej teje, jepna jetë, që të thërrasim emrin tënd. O Zot, Perëndi i ushtrive, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë. Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i Asafit. Ngazëlleni në Perëndinë, forcën tonë, brohoritni për Perëndinë e Jakobit. Merrjani këngës e bjerini dajres, lirës gazmore e harpës bashkë me të. Bjerini bririt për hënën e re, për hënën e plotë, ditën e të kremtes sonë. Se ky është rregull për Izraelin, vendim i Perëndisë së Jakobit. Kjo dëshmi iu dha Jozefit, kur doli prej tokës së Egjiptit. Dëgjova një zë që nuk e njihja: «Ia hoqa barrën prej shpatullave, duart prej shportës ia lirova. Më thirre në fatkeqësi e të çlirova, t'u përgjigja i fshehur mes gjëmimit, tek ujërat e Meribës në provë të vura. Dëgjomë, o populli im, e do të të qortoj. Ah, sikur të më dëgjoje, o Izrael! Nuk do të ketë te ti perëndi tjetër, para asnjë perëndie të huaj nuk do të përkulesh. Unë jam Zoti, Perëndia yt, unë të nxora prej tokës së Egjiptit, hape gojën e do të ta mbush. Por populli im nuk ma dëgjoi zërin, Izraeli nuk më vuri vesh. Atëherë i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre të ecnin sipas shestimeve të tyre. Ah, sikur të më dëgjonte populli im! Ah, sikur të ecte Izraeli udhëve të mia! Atëherë do t'i poshtëroja menjëherë armiqtë e tij, dorën do ta ktheja kundër kundërshtarëve të tij. Ata që e urrejnë Zotin do t'i nënshtroheshin, ky do të ishte fati i tyre në amshim. E unë do ta ushqeja me grurin më të mirë, do ta ngopja me mjaltë prej shkëmbi». Psalm i Asafit. Perëndia u ngrit në kuvendin hyjnor e në mes të perëndive shpall gjykim: «Deri kur do të gjykoni padrejtësisht e anën e të paudhëve do të mbani? Jepini të drejtën të mjerit e jetimit, bëjini drejtësi të vuajturit e skamnorit. Çlirojeni të mjerin e nevojtarin, prej dorës së të paudhëve shpëtojini. As dinë e as kuptojnë, nëpër terr enden; tranden gjithë themelet e tokës». E unë thashë: «Jeni perëndi, të gjithë jeni bij të të Tejlartit. Por do të vdisni si çdo njeri, si çdo prijës do të bini». Ngrihu, o Perëndi, gjyko tokën, se ti do të trashëgosh tërë kombet. Këngë. Psalm i Asafit. O Perëndi, mos e mbyll gojën! O Perëndi, mos rri i heshtur e mos u preh! Se ja, armiqtë e tu po turfullojnë, ata që të urrejnë kanë ngritur krye. Thurin të këqija kundër popullit tënd, këshillohen me njëri-tjetrin kundër atyre që ke për zemër. «Ejani», thonë, «T'i shfarosim si komb, emri i Izraelit mos u kujtoftë më». Kanë rënë të gjithë në një mendje, kanë lidhur besën kundër teje. Tendat e Edomit dhe ishmaelitët, Moabi bashkë me hagritët, Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistea me banorët e Tirit, me ta u bashkua edhe Asiria, krah iu bënë bijve të Lotit. Bëjua atyre siç ia bëre Midianit e Siserit, siç ia bëre Jabinit në përroin e Kishonit. Në Endor morën fund, si pleh për tokën u bënë. Bëjua fisnikëve të tyre si Orebit e Zebit, tërë princave të tyre si Zebahut e Calmunaut. Se thanë: «T'i marrim për vete kullotat e Perëndisë». O Perëndia im, bëji ata si shakullina, si kashta që e përpin era. Si zjarri që djeg pyllin, si flaka që zhurit malet. Ndiqi, pra, me shtrëngatën tënde, me thëllimin tënd futua tmerrin. Mbulojua fytyrën me turp dhe emrin tënd do të kërkojnë, o Zot. U turpërofshin e u tmerrofshin përgjithmonë, u poshtërofshin e marrshin fund. Kështu do ta dinë se « Zot » është emri yt, se ti je i vetmi i Tejlartë mbi mbarë dheun. Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i bijve të Korahut. Sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive! Përmallohet e këputet shpirti im për oborret e Perëndisë, ngazëllen zemra ime e trupi im për Perëndinë e gjallë. Edhe trumcaku e gjen strehën e vet, dallëndyshja folenë, për të vënë zogjtë, tek altarët e tu, o Zot i ushtrive, o mbreti im dhe Perëndia im. Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde e të lavdërojnë përgjithmonë. Lum ata, që e gjejnë forcën te ti dhe kanë për zemër shtegtimin. Teksa kalojnë nëpër luginën e Bakasë, e shndërrojnë në vend burimesh dhe shiu i parë e mbulon me bekime. Ecin e bëhen gjithnjë e më të fortë dhe dalin para Perëndisë në Sion. O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjoje lutjen time, mba vesh, o Perëndi i Jakobit. Shiko, o Perëndi, mburoja jonë, vështroje fytyrën e të vajosurit tënd. Një ditë në oborret e tua është më mirë se një mijë ditë gjetiu. Më mirë në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, sesa në tendat e të paudhëve. Se diell e shqyt është Zoti Perëndi, Zoti është dhuruesi i hirit e lavdisë. Ai nuk ua mohon të mirat atyre që jetojnë me ndershmëri. O Zot i ushtrive, lum njeriu që te ti beson. Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut. Tokën tënde e ke për zemër, o Zot, Jakobin prej robërisë e ktheve. Paudhësinë popullit ia fale, të gjitha mëkatet ia mbulove. Furinë tënde e fashite krejt, prej zemërimit tënd dorë hoqe. Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, jepi fund mërisë sate kundër nesh. Mos vallë përjetë do të jesh i zemëruar me ne? Mos vallë brez pas brezi do të zgjatë zemërimi yt? A nuk do të kthehesh të na japësh jetë, që populli yt të gëzohet në ty? Tregona, o Zot, mirësinë tënde, jepna shpëtimin tënd. Do të dëgjoj se ç'thotë Zoti Perëndi. Ja, paqe i premton popullit dhe besnikëve të vet e nuk do t'i lërë të bien sërish në marrëzi. Shpëtimi i tij është vërtet pranë atyre që e druajnë, që lavdia të banojë në tokën tonë. Mirësia dhe e vërteta u puqën, drejtësia dhe paqja u puthën. E vërteta do të mbijë nga toka, drejtësia do të vështrojë prej qiellit. Po, Zoti ka për të dhënë të mira e toka jonë ka për të dhënë prodhim. Përpara do t'i prijë drejtësia e udhën do t'u hapë hapave të tij. Lutje e Davidit. Mba vesh, o Zot, e më dëgjo, se jam skamnor e nevojtar. Ruaje shpirtin tim, se jam besniku yt, o Perëndia im. Shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti. Mëshiromë, o Zot, se ty të thërras gjithë ditën. Gëzoja shpirtin shërbëtorit tënd, se te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim. Ti je i mirë, o Zot, i gatshëm për të falur e plot mirësi për ata që të thërrasin. Vëri vesh lutjes sime, o Zot, dëgjoje zërin e përgjërimit tim. Ditën e fatkeqësisë të thërras, sepse ti më përgjigjesh. Nuk ka si ty mes perëndive, o Zot, nuk ka si veprat e tua. Ti i krijove të gjitha kombet, para teje do të vijnë e do të përkulen dhe emrin tënd do të lavdërojnë, o Zot. Ti je i madh e bën mrekulli, vetëm ti je Perëndi. Mësomë, o Zot, udhën tënde, që të eci në të vërtetën tënde, më bëj ta druaj emrin tënd me gjithë zemër. Do të të falënderoj me gjithë zemër, o Zot, Perëndia im, dhe emrin tënd do ta lavdëroj përjetë. E madhe është mirësia jote ndaj meje, nga thellësitë e skëterrës më shpëtove. O Perëndi, kryeneçët u ngritën kundër meje, turma gjakatarësh kërkojnë vdekjen time e ty nuk të kanë për gjë. Por ti, o Zot, je Perëndi i dhembshur e i mëshirshëm, i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri. Kthehu nga unë e ki mëshirë për mua, jepi fuqi shërbëtorit tënd, birin e shërbëtores sate shpëtoje. Dëfto një shenjë mirësie ndaj meje, që ta shohin ata që më urrejnë e të turpërohen, se ti, o Zot, më ndihmove e më ngushëllove. Bijve të Korahut. Psalm. Këngë. Themelet e tij janë mbi malet e shenjtë, Zoti i do portat e Sionit më shumë se të gjitha banesat e Jakobit. Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. Nga ata që më njohin do të përmend Rahabin e Babiloninë; ja, Filistea, Tiri dhe Kushi, atje kanë lindur edhe ato. Për Sionin do të thuhet: «Në të ka lindur çdo njeri, atë e ka themeluar vetë i Tejlarti». Zoti do të shkruajë kur të shënojë popujt: «Ky ka lindur atje». Këngëtarët e valltarët do të thonë: «Te ti i kemi rrënjët». Këngë. Psalm i bijve të Korahut. Mjeshtrit të korit. Me melodi të trishtueshme. Himn i Heman Ezrahitit. O Zot, Perëndia i shpëtimit tim, ty të thërras ditë e natë. Lutja ime mbërrittë te ti, vëri vesh kujës sime. Më është mbushur shpirti me të këqija, jeta ime është pranë skëterrës. Më radhitin me ata që kallen në varr, jam bërë si njeri pa forcë. Endem mes të vdekurve, si të vrarët që dergjen varreve, si ata që ti nuk i kujton më, që janë shkëputur nga dora jote. Më ke plandosur në gropën më të thellë, në skutat më të errëta të thellësive. Mbi mua rëndon zemërimi yt, mbi mua përplasen gjithë dallgët e tua. Largove prej meje të njohurit e mi, më bëre të neveritshëm për ta. Jam mbyllur brenda e më nuk dal, sytë më janë venitur prej mjerimit. Ty të kam thirrur përditë, o Zot, duart drejt teje i kam shtrirë. Pse, për të vdekurit do t'i bësh mrekullitë? Mos do të ngrihen hijet e të vdekurve të të përlëvdojnë? Mos ka për të folur kush në varr për mirësinë tënde, apo për besnikërinë tënde në vendin e shkatërrimit? Mos kanë për t'u njohur në errësirë mrekullitë e tua, apo drejtësia jote në vendin e harresës? Por unë të thërras ty, o Zot, për ndihmë, lutja ime mbërrin para teje që në mëngjes. Përse më hedh tej, o Zot? Përse e fsheh fytyrën prej meje? I mjerë jam unë e në prag të vdekjes që në rini, vuaj prej tmerreve të tua plot dëshpërim. Më mbulojnë zemërimet e tua, tmerret e tua më rrënojnë. Më rrethojnë si uji tërë ditën, vërshojnë mbi mua nga të gjitha anët. Largove prej meje miq e shokë, vetëm errësira më bën shoqëri. Himn i Etan Ezrahitit. Mirësive të tua, o Zot, do t'u këndoj në amshim, besnikërinë tënde do ta shpall brez pas brezi me gojën time. Se thashë: «Mirësia jote mbetet në amshim, në qiej i ka rrënjët besnikëria jote». E ti the: «Kam bërë një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim. Pasardhësit e tu do t'i ruaj në amshim, fronin tënd do ta forcoj brez pas brezi». Qiejt rrëfejnë mrekullitë e tua, o Zot, kuvendi i të shenjtëve të tu, besnikërinë tënde. Kush ndër re krahasohet me Zotin? Ndër bijtë e perëndive, kush është si Zoti? I tmerrshëm është Perëndia në kuvendin e të shenjtëve, i madh e i frikshëm për ata që e rrethojnë. Kush është si ti, o Zot, Perëndi i ushtrive? I fuqishëm je, o Zot, me besnikërinë tënde rrethuar. Ti e sundon tërbimin e detit, rrëmbimin e dallgëve të tij, ti e fashit. Ti e dërrmove Rahabën dhe e plandose, armiqtë i shpërndave me krahun tënd të fuqishëm. Yti është qielli, jotja edhe toka, ti e themelove botën dhe gjithçka në të. Veriun e jugun ti i krijove, Tabori dhe Hermoni brohorasin për emrin tënd. Krahu yt është plot fuqi, e fortë është dora jote, e djathta jote lart është ngritur. Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, mirësia dhe besnikëria të rrinë kundruall. Lum ai popull, që di të brohorasë për ty, në dritën e pranisë sate do të ecë, o Zot. Në emrin tënd do të ngazëllojnë tërë ditën, në drejtësinë tënde do të lartësohen. Se ti je krenaria e fuqisë së tyre, me hirin tënd bëhemi edhe më të fortë. Mbrojtja jonë vjen prej Zotit, mbreti ynë prej të shenjtit të Izraelit. Në vegim fole dikur me besnikët e tu: «I dhashë ndihmë një trimoshi», the, «Lartësova një të zgjedhur prej popullit. Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, me vajin tim të shenjtë e vajosa. Dora ime do të jetë përherë me të e krahu im do t'i japë forcë. Armiku nuk do ta mposhtë, biri i paudhësisë nuk do t'i bëjë keq. Para syve të tij do t'i thyej armiqtë e tij, ata që e urrejnë do t'i godas. Besnikëria e mirësia ime do të jenë me të, në emrin tim do të bëhet gjithnjë e më i fortë. Dorën e tij do ta shtrij mbi det, të djathtën e tij mbi lumenj. Ai do të më thërrasë: “Ati im je ti, Perëndia im, shkëmbi i shpëtimit tim”, e unë do ta bëj të parëlindurin tim, më të madhin ndër mbretërit e tokës. Mirësia ime do të jetë me të përgjithmonë, besëlidhja me të do të mbetet e pathyeshme. Pasardhësit e tij do t'i ruaj në amshim, fronin e tij për sa kohë të jenë qiejt. Nëse bijtë e tij e lënë ligjin tim e sipas vendimeve të mia nuk ecin, nëse i shkelin rregullat e mia e urdhërimet e mia nuk i mbajnë, me thupër do t'i ndëshkoj shkeljet e tyre, paudhësinë e tyre me fshikullima, por nuk do të heq dorë nga mirësia për të e besnikërinë time për të nuk do ta shkel. Besëlidhjen time nuk do ta thyej, premtimin që bëra nuk do ta ndryshoj. Jam betuar një herë për shenjtërinë time, se Davidin kurrë nuk do ta zhgënjej. Pasardhësit e tij do të mbeten në amshim, sa dielli do të zgjatë froni i tij para meje. Do të qëndrojë në amshim si hëna, një dëshmi e besueshme ndër re». Por ti na hodhe tej e na përçmove, me të vajosurin tënd u zemërove. Besëlidhjen me shërbëtorin tënd e prishe, kurorën e tij në baltë e përdhose. Të gjitha muret ia rrënove, fortesat në gërmadha ia ktheve. E plaçkitin gjithë sa kalojnë asaj udhe, është bërë gazi i fqinjëve të vet. Lartësove të djathtën e kundërshtarëve të tij, të gjithë armiqtë e tij i bëre të gëzojnë. Tehun e shpatës së tij e çmprehe, në betejë nuk e përkrahe. I dhe fund madhështisë së tij, fronin e tij përtokë e hodhe. Ditët e rinisë ia shkurtove, me turp e mbulove. Deri kur, o Zot? A do të fshihesh përgjithmonë? A do të djegë si flaka zemërimi yt? Kujtohu sa e shkurtër është jeta ime! A thua më kot i krijove gjithë bijtë e njerëzve? Kush do të jetojë pa e parë vdekjen? Kush do t'ia shpëtojë shpirtin prej skëterrës? Ku janë mirësitë e tua të dikurshme, o Zot, që ia premtove Davidit në besnikërinë tënde? Kujto, o Zot, poshtërimin e shërbëtorëve të tu, fyerjen e shumë popujve, që më rëndon në gji, poshtërimin që bëjnë armiqtë e tu, o Zot, çnderimin që i bëjnë hapave të të vajosurit tënd. Bekuar qoftë Zoti në amshim! Amen! Amen! Lutje e Moisiut, njeriut të Perëndisë. O Zot, ti ke qenë streha jonë brez pas brezi. Para se të lindnin malet, para se të krijoje tokën e botën, prej amshimit në amshim, ti je Perëndia. Ti e kthen njeriun në pluhur, e thua: «Kthehuni, o bijtë e njeriut!». Se një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që kaloi, porsi orët e rojës së natës. Në gjumë, si përmbytja i përlan, si bari që mugullon në mëngjes janë. Në mëngjes lulëzon e mugullon, në mbrëmje vyshket e thahet. Prej zemërimit tënd morëm fund, prej furisë sate u tmerruam. Paudhësitë tona i ke vënë para vetes, të fshehtat tona në dritën e fytyrës sate. Tërë ditët tona fashiten prej mërisë sate, vitet tona marrin fund si një ofshamë. Vitet e jetës sonë janë shtatëdhjetë, ja, tetëdhjetë për më të fortët; vitet më të mira janë mundim e dhimbje, teren shpejt e ne kalojmë. Kush e njeh forcën e zemërimit tënd? Si droja ndaj teje ashtu është furia jote. Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona, që të fitojmë një zemër plot urti. Kthehu, o Zot! Deri kur? Ki mëshirë për shërbëtorët e tu! Na ngij në mëngjes me mirësinë tënde, që të ngazëllejmë e të gëzojmë në të gjitha ditët tona. Bëna të gëzojmë për aq ditë sa na mundove, për aq vite sa kaluam në fatkeqësi. Le të shfaqet vepra jote te shërbëtorët e tu, te bijtë e tyre madhështia jote. Ardhtë mbi ne mirësia e Zotit, Perëndisë tonë, bëje të shkojë mbarë veprën e duarve tona, përparoftë vepra e duarve tona! Kush banon nën strehën e të Tejlartit, qëndron nën hijen e të gjithëpushtetshmit. Do t'i them Zotit: «Ti je streha ime e fortesa ime, je Perëndia im, te ti kam besim». Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit dhe nga plaga vdekjeprurëse. Me pendët e tij do të të mbulojë, nën krahët e tij strehë do të gjesh, shqyt e mburojë është besnikëria e tij. Nuk do ta kesh frikë tmerrin e natës e as shigjetën që vringëllon ditën, as murtajën që endet nëpër terr e as shfarosjen që shkreton në zheg. Le të bien mijëra përreth teje, apo dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, ty nuk do të të prekë asgjë. Vetëm hap sytë e shih ndëshkimin e të paudhëve. Zoti është streha jote, i Tejlarti banesa jote, nuk të prek asnjë e keqe dhe tendës sate sëmundje nuk do t'i afrohet. Ai do të urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë përgjatë të gjitha udhëve. Në duart e tyre do të të mbajnë, që këmba jote të mos ndeshë në gur. Mbi këlyshë luanësh e mbi nepërka do të shkelësh, do të shtypësh luanë e gjarpërinj. «Do ta çliroj, sepse më deshi, do ta mbroj, se njohu emrin tim. Do të më thërrasë e unë do t'i përgjigjem, në vështirësi me të do të jem, do ta shpëtoj e nder do t'i jap. Do ta kënaq me jetë të gjatë dhe shpëtimin tim do t'i dëftej». Psalm. Këngë për të shtunën. Është mirë të përlëvdosh Zotin e t'i këndosh emrit tënd, o i Tejlartë, mirësinë tënde të shpallësh në mëngjes e besnikërinë tënde gjatë natës, me qeste dhjetëkordëshe e me harpë, me këngë shoqëruar me lirë. Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, ngazëllohem me punët e duarve të tua. Sa madhështore janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua! Njeriu i pamend nuk e di e i marri nuk e kupton dot, se, të pabesët, edhe pse mbijnë si bari, edhe pse lulëzojnë ata që bëjnë paudhësi, kanë për t'u shkatërruar përgjithmonë. Por ti, o Zot, je përjetë madhështor! Ja, armiqtë e tu, o Zot, ja, armiqtë e tu do të zhbihen e ata që bëjnë paudhësi do të hapërdahen. Ti më bëre të fortë si buallin, më vajose me vaj të ri. Syri im do të shohë rënien e kundërshtarëve të mi, veshët e mi do të dëgjojnë poshtërimin e atyre që më bëjnë keq. I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si cedri i Libanit. Do të mbillet në shtëpinë e Zotit, do të lulëzojë në oborret e Perëndisë tonë. Do të japë fryte edhe në pleqëri, do të jetë i shëndetshëm e plot freski, për të shpallur se Zoti është i drejtë. Ai është shkëmbi im e tek ai nuk ka padrejtësi. Zoti mbretëron. Është veshur me madhështi. Zoti është veshur e ngjeshur me fuqi. Bota qëndron mbi themele të forta dhe nuk do të trandet kurrë. Froni yt qëndron i fortë që prej fillimit, ti vetë je që prej amshimit. Lumenjtë u frynë, o Zot, lumenjtë ngritën zërin e tyre, lumenjtë shtuan buçimën e tyre. Më madhështor se buçima e ujërave të shumtë, më madhështor se oshtima e valëve të detit është Zoti në lartësi. Dëshmitë e tua janë vërtet të besueshme, shtëpisë sate i ka hije përjetë shenjtëria, o Zot. O Zot, Perëndi shpagues, o Perëndi shpagues, shkëlqe! Ngrihu, o gjykatës i tokës, jepu shpagimin krenarëve. Deri kur të paudhët, o Zot, deri kur do të ngadhënjejnë të paudhët? Shpotitin e flasin me përbuzje, mburren tërë ata që bëjnë paudhësi. Popullin tënd po e shtypin, o Zot, trashëgiminë tënde po e mundojnë. Vrasin vejushën e të ardhurin, jetimit i marrin jetën. E thonë: «Nuk sheh Zoti, Perëndia i Jakobit nuk kupton». Merrni vesh, o tutkunët e popullit. Ju, o të pamend, kur do të kuptoni? Ai që përftoi veshin nuk dëgjuaka? Ai që krijoi syrin nuk shikuaka? Ai që qorton popujt nuk ndëshkuaka, ai që dijen i mëson njeriut? Zoti i njeh mendimet e njeriut, të kota janë ato. Lum njeriu që e qorton ti, o Zot, e me ligjin tënd e mëson, për t'i dhënë prehje në ditë fatkeqësie, derisa të paudhit t'i jetë hapur gropa. Se Zoti nuk e braktis popullin e vet, trashëgiminë e vet nuk e hedh poshtë, derisa gjykimi të shpallet sërish me drejtësi, dhe tërë zemërdrejtët ta ndjekin. Kush do të ngrihet për mua kundër të këqijve? Kush do të dalë për mua kundër të paudhëve? Po të mos më kishte ndihmuar Zoti, për pak do të banoja në vendin e heshtjes. Kur thashë: «Po më rrëshqet këmba!», më mbajti mirësia jote, o Zot. Kur përbrenda më mbytin shqetësimet, ma gëzojnë shpirtin ngushëllimet e tua. A ka lidhje me ty froni i paudhësisë, i cili sajon rregulla të marra me mashtrim? Vërsulen kundër jetës së të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm. Por Zoti u bë streha ime, Perëndia im, shkëmbi ku gjej strehim. Ai do t'i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre, me vetë të keqen e tyre do t'i shfarosë, Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë. Ejani t'i këndojmë Zotit, të brohorasim për shkëmbin e shpëtimit tonë. Le të dalim para tij me falënderim, le të brohorasim për të me këngë. Se Perëndi madhështor është Zoti, mbret i madh mbi gjithë perënditë. Në dorën e tij janë thellësitë e tokës, të tijat janë majat e maleve. I tij është edhe deti, ai e krijoi, duart e tij i dhanë trajtë dheut. Ejani të adhurojmë e të biem në gjunjë, le të gjunjëzohemi para Zotit, krijuesit tonë! Se ai është Perëndia ynë e ne populli i kullotës së tij, tufa, që ai e ruan me dorën e vet. Dëgjojeni, pra, sot zërin e tij: «Mos e ngurtësoni zemrën si në Meribë, si në ditën e Masës, në shkretëtirë, kur etërit tuaj më vunë në provë, më tunduan edhe pse i kishin parë veprat e mia. Për dyzet vjet m'u neverit ajo brezni, e thashë: “Ky popull e ka zemrën tërë dredhi e udhët e mia nuk i njeh”. Prandaj u përbetova në zemërimin tim: “Nuk kanë për të hyrë në prehjen time!”». Këndojini Zotit një këngë të re! Le t'i këndojë Zotit dheu mbarë! Këndojini Zotit, bekoni emrin e tij, shpëtimin e tij ditë për ditë kumtoni! Rrëfeni ndër kombe lavdinë e tij, ndër popuj mbarë mrekullitë e tij! Se i madh është Zoti e fort i lavdërueshëm, më i tmerrshëm se të gjithë perënditë. Se gjithë perënditë e popujve janë të kotë, por Zoti bëri qiejt. Para tij shkëlqim e madhështi, në shenjtëroren e tij fuqi e bukuri. Jepini Zotit, o fiset e popujve, Jepini Zotit lavdi e fuqi! Jepini Zotit lavdinë e emrit të tij, kushtojini fli dhe ejani në oborret e tij! Adhuroni Zotin e stolisur me shenjtëri; mbarë toka le të dridhet para tij! U thoni kombeve se Zoti mbretëron, ai i vuri themelet botës e nuk do të trandet, ai do t'i gjykojë popujt me drejtësi. Le të ngazëllejë qielli e le të gëzojë toka, le të ushtojë deti e gjithçka brenda tij! Le të dëfrejë fusha e gjithçka në të, gjithë drurët e pyllit le të brohorasin para Zotit, se ja tek vjen, ja tek vjen për të gjykuar tokën! Do ta gjykojë botën me drejtësi e popujt me besnikërinë e tij. Zoti mbretëron, le të gëzojë toka! Le të ngazëllejnë ujdhesat e shumta! Reja e terri e mbështjellin, drejtësia dhe e drejta themeli i fronit të tij. Zjarr para tij, armiqtë rreth e qark i djeg. Vetëtimat e tij ndriçojnë botën; e sheh toka e trandet! Si dylli shkrihen malet para Zotit, para Zotit të mbarë tokës. Qiejt shpallin drejtësinë e tij, të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij. U turpërofshin të gjithë ata që shtatoret adhurojnë, ata që me idhujt mburren! Adhurojeni Zotin gjithë ju perënditë! E dëgjoi Sioni e u gëzua, bijat e Judës u ngazëlluan, për gjykimet e tua, o Zot. Se ti, o Zot, je i Tejlarti mbi tërë tokën, ti u lartësove shumë më tepër se gjithë perënditë. O ju, që e doni Zotin, urrejeni të keqen! Ai i ruan shpirtrat e besnikëve të tij e prej dorës së të paudhëve i çliron. Drita lindi për të drejtin e gëzimi për zemërdrejtët. Ngazëlleni, o të drejtë, në Zotin, kujtoni e lavdëroni shenjtërinë e tij! Psalm. Këndojini Zotit një këngë të re, se vepra të mrekullueshme bëri! Ngadhënjeu me dorën e tij të djathtë e me krahun e tij të shenjtë. Zoti e bëri të njohur shpëtimin e tij, në sytë e kombeve e shfaqi drejtësinë e tij. Iu kujtua mirësia e besnikëria e tij për shtëpinë e Izraelit, mbarë skajet e tokës e panë shpëtimin e Perëndisë tonë. Të brohorasë për Zotin mbarë toka, buçisni nga gëzimi, ngazëlleni e këndoni! Këndojini Zotit me harpë, me harpë e me tingullin e këngës, me trumbetë e me tingullin e bririt, brohoritni para Zotit, mbretit. Le të ushtojë deti e gjithçka në të, bota e gjithë banorët e saj. Lumenjtë le të duartrokasin, malet nga gëzimi tok le të buçasin, para Zotit, se po vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi e popujt me paanësi. Zoti mbretëron, le të dridhen popujt! Mbi kerubë është ulur, le të trandet toka! I madh është Zoti në Sion, i lartësuar mbi të gjithë popujt. Le ta përlëvdojnë emrin tënd të madh e të tmerrshëm, sepse është i shenjtë. Mbreti i fuqishëm e do drejtësinë. Ti e ke caktuar ç'është e drejtë, ti e ushtron gjykimin e drejtësinë te Jakobi. Lartësojeni Zotin, Perëndinë tonë, bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tij, se është i shenjtë. Moisiu e Aroni mes priftërinjve të tij, Samueli mes atyre që thërrasin emrin e tij, i thirrën Zotit e ai i dëgjoi. Nga shtylla e resë u fliste e ata i ruajtën dëshmitë e tij dhe rregullat që u kishte dhënë. O Zot, Perëndia ynë, ti i dëgjove ata, ti ishe për ta një Perëndi që fal, por edhe i ndëshkoje gabimet e tyre. Lartësojeni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, se i shenjtë është Zoti, Perëndia ynë. Psalm falënderimi. Të brohorasë për Perëndinë mbarë toka! Shërbejini Zotit me gëzim, dilni para tij me brohoritje! Dijeni mirë se Zoti është Perëndi, ai na bëri e të tijtë jemi ne, jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij. Hyni në portat e tij me përlëvdim, në oborret e tij me lavdërim, falënderojeni e bekoni emrin e tij. Se i mirë është Zoti, në amshim mirësia e tij, besnikëria e tij brez pas brezi. Psalm i Davidit. Mirësisë e drejtësisë do t'i këndoj, ty do të të thur himne, o Zot. Do të ndjek me urti udhën e përsosur, kur do të vish tek unë? Do të jetoj me zemër të pastër, brenda në shtëpinë time. S'do të mbaj para syve asgjë të pavlerë, e urrej veprën e dinakut, një gjë e tillë nuk do të më prekë. Do ta mbaj larg zemrën e shthurur, për të keqen nuk dua as t'ia di. Atë që të afërtin tinëz e përflet do ta shfaros, mendjemadhin e kryelartin s'do ta duroj. Kërkoj me sy besnikët e vendit, ata do të banojnë me mua; ai që ecën udhës së përsosur, ai do të jetë shërbëtori im. Mashtruesi s'ka për të banuar brenda shtëpisë sime, kush flet rrena nuk do të qëndrojë para syve të mi. Në mëngjes do të shfaros gjithë të këqijtë e vendit, që t'i zhbij prej qytetit të Zotit të gjithë ata që bëjnë paudhësi. Lutje e të mjerit, kur është i hidhëruar dhe brengën e tij e nxjerr para Zotit. O Zot, dëgjoje lutjen time e klithma ime ardhtë te ti. Mos e fshih fytyrën tënde prej meje ditën e fatkeqësisë sime, prire veshin tënd drejt meje ditën që të thërras e dëgjomë sa më shpejt. Se ditët e mia po zhduken si tymi, eshtrat po më bëhen shkrumb si prushi. Zemra po më vyshket si bari e po thahet, kam harruar të ha edhe bukën time. Prej ofshamës së rënkimit tim jam bërë kockë e lëkurë. Jam bërë si pelikani në shkretëtirë, i ngjaj kukuvajkës ndër rrënoja. Gjumi nuk më merr, jam si trumcaku i vetmuar mbi çati. Armiqtë më përqeshin tërë ditën, edhe ata që më thurin lavde nëmin në emrin tim. Po ha hi si bukë, pijen e përziej me lot. Për shkak të zemërimit e furisë sate, lart më ngrite, por mandej më plandose. Ditët e mia janë si hija e muzgut e unë po thahem si bari. Por ti, o Zot, mbetesh në amshim, kujtimi yt brez pas brezi. Do të ngrihesh e do të kesh dhembshuri për Sionin, se erdhi koha të tregohesh i mëshirshëm me të; po, erdhi koha e caktuar! Shërbëtorët e tu i duan gurët e tij, u dhimbset edhe pluhuri i tij. Atëherë kombet do ta druajnë emrin e Zotit e gjithë mbretërit e tokës lavdinë e tij, kur Zoti ta ndërtojë Sionin e në lavdinë e tij të shfaqet. Përgjërimin e të mjerëve e vuri re dhe lutjen e tyre nuk e shpërfilli. Le të shkruhet kjo për brezninë e ardhshme dhe populli, që do të krijohet, le të lavdërojë Zotin. Se Zoti pa nga shenjtërorja e tij e lartë, prej qiellit hodhi vështrimin e tij mbi tokë, për të dëgjuar rënkimin e të robëruarve, për të shpëtuar të dënuarit me vdekje, që emri i Zotit të shpallet në Sion dhe lavdërimi i tij në Jerusalem, kur popujt të mblidhen tok, kur mbretëritë t'i shërbejnë Zotit. Udhës ai m'i pakësoi fuqitë e ditët m'i shkurtoi. E thashë: «O Perëndia im, vitet e tua mbeten brez pas brezi; mos më merr në mes të ditëve të mia! Së lashti ti themelove tokën, qiejt janë vepra e duarve të tua. Do të marrin fund, por ti do të mbetesh; të gjitha do të vjetrohen si rrobë, do t'i ndërrosh si petk e do të brehen. Ti do të mbetesh po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë fund. Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim, pasardhësit e tyre do të jenë të fortë para teje». I Davidit. Bekoje Zotin, o shpirti im, dhe gjithë qenia ime emrin e tij të shenjtë. Bekoje Zotin, o shpirti im, dhe mos i harro bamirësitë e tij. Ai fal tërë paudhësitë e tua, ai shëron tërë sëmundjet e tua. Ta shpëton jetën prej varrit, të kurorëzon me mirësi e dhembshuri. Ai ta mbush jetën me të mira, ai të rinon si shqiponjën. Zoti bën vepra të drejta, u jep drejtësi të shtypurve. Udhët e tij ia dëftoi Moisiut, veprat e tij bijve të Izraelit. Zoti është i dhembshur e i mëshirshëm, i duruar e plot mirësi. Nuk padit përgjithmonë, as mban mëri përjetë. Nuk na trajton sipas mëkateve tona, as na shpaguan sipas paudhësive tona. Sa lart është qielli nga toka, aq e madhe është mirësia e tij për ata që e druajnë. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq i largon prej nesh paudhësitë tona. Siç i dhimbsen bijtë një ati, ashtu i dhimbsen Zotit ata që e druajnë. Se ai e di si jemi krijuar, nuk harron që jemi pluhur. Ditët e njeriut janë si bari, ai lulëzon si lulja e fushës. Fryn era dhe e shuan, nuk dihet as ku ka qenë. Por mirësia e Zotit mbetet përjetë e në amshim për ata që e druajnë dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve të tyre, për ata që mbajnë besëlidhjen e tij, që zbatojnë pa harruar porositë e tij. Zoti e ka vendosur fronin në qiell, mbretëria e tij sundon gjithçka. Bekojeni Zotin, o ju engjëjt e tij të fortë e të fuqishëm, ju që zbatoni urdhrat e tij, sapo dëgjoni fjalët e tij. Bekojeni Zotin, gjithë ju ushtritë e tij, ju shërbestarët e tij, që bëni vullnetin e tij. Bekojeni Zotin, gjithë ju veprat e Zotit, në çdo vend ku ai sundon. Bekoje Zotin, o shpirti im! Bekoje Zotin, o shpirti im! O Zot, Perëndia im, sa i madhërishëm je! Je veshur me shkëlqim e lavdi, dhe mbështillesh me dritën si me rrobë. Qiellin e shtrin porsi tendë, banesat e tua të larta mbi ujëra i ndërton, retë i bën si karrocë për vete dhe ecën mbi krahët e erës. Erërat i bën lajmëtarë të tu, flakët e zjarrit shërbestarë të tu. Tokën e vendose mbi themelet e saj, nuk do të lëkundet kurrë. E mbulove me humnerë si me rrobë, ujërat qëndruan mbi male. Prej qortimit tënd ikin, prej zërit të gjëmimit tënd marrin arratinë. Ngjiten maleve, zbresin fushave, drejt vendit që u caktove. U vure kufi që të mos e kapërcejnë e të mos kthehen për të mbuluar tokën. Ti i dërgon burimet ndër përrenj, mes maleve ato rrjedhin. U japin ujë gjithë kafshëve të fushës, gomarëve të egër u shuajnë etjen. Pranë tyre banojnë zogjtë e qiellit, mes degëve dëgjohet kënga e tyre. Prej banesave të tua të larta u jep ujë maleve, toka ngopet me frytet e duarve të tua. Ti rrit barin për bagëtinë e bimët në dobi të njeriut, që të nxjerrë ushqimin nga toka, verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që i ndriçon fytyrën e bukën që i forcon zemrën. Ngihen drurët e Zotit, cedrat e Libanit që ai mbolli. Atje bëjnë fole zogjtë, bredhat janë banesa e shtërgut. Malet e larta janë për dhitë e egra, shkrepat strehë për vjedullat. Bëre hënën për të shënuar stinët dhe dielli e di kur të perëndojë. Hedh errësirën e bëhet natë, nëpër të enden gjithë egërsirat e pyllit. Këlyshët e luanëve ulërijnë për gjah, nga Perëndia kërkojnë ushqim. Kur lind dielli, mblidhen e shtrihen nëpër strofkat e tyre. Njeriu del për punë e lodhet deri në mbrëmje. Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Të gjitha i ke bërë me urti! Toka është plot me krijesat e tua. Ja deti i madh e i gjerë! Atje ka zvarranikë të panumërt, gjallesa të vogla e të mëdha. Atje lundrojnë anije, Leviatani që krijove për të luajtur në të. Të gjitha presin prej teje ushqimin në kohën e duhur. Ti u jep, ato mbledhin, ti hap dorën, ato ngihen me të mira. Ti fsheh fytyrën, ato tmerrohen, ua heq frymën, ato ngordhin e kthehen përsëri në pluhur. Ti dërgon frymën tënde, ato krijohen, ti përtërin faqen e tokës. Lavdia e Zotit qëndroftë përjetë! U gëzoftë Zoti për veprat e tij! Ai hedh sytë mbi tokë e ajo dridhet, prek malet e nxjerrin tym. Do t'i këndoj Zotit gjithë jetën time, do ta përhimnoj Perëndinë tim sa të jem gjallë. I pëlqeftë kënga ime e unë do të ngazëllej në Zotin. U zhdukshin mëkatarët nga toka, të paudhët mos qofshin më. Bekoje Zotin, o shpirti im! Aleluja! Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij, shpallni mes popujve veprat e tij. Këndojini atij e thurini lavde, kumtoni gjithë mrekullitë e tij. Krenohuni me emrin e tij të shenjtë, u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë Zotin. Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, kërkojeni përherë fytyrën e tij. Kujtoni mrekullitë që bëri, çuditë dhe gjykimet e gojës së tij, o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij. Ai është Zoti, Perëndia ynë; mbi mbarë dheun vendimet e tij. Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij, fjalën që urdhëroi për një mijë brezni, besëlidhjen që bëri me Abrahamin, premtimin që i dha Isakut. Ia caktoi si rregull Jakobit, Izraelit si besëlidhje përjetë, kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit si pjesë të trashëgimisë suaj», kur ishin të hequr në numër, të paktë e ardhacakë, tek endeshin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një tjetër popull. Nuk lejoi t'i shtypte askush, mbretërit për hir të tyre qortoi: «Mos m'i prekni të vajosurit, profetët e mi mos i lëndoni». Urinë solli në atë vend, theu çdo enë buke. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. Me pranga ia shtrënguan këmbët, hekura i vunë rreth qafës, derisa u përmbush fjala e tij, fjala e Zotit e sprovoi atë. I dërgoi fjalë mbreti që ta lironin, sunduesi i popujve e la të lirë. Zot të shtëpisë së tij e bëri, sundues mbi gjithë zotërimin e tij, që t'i ndreqte princat sipas gjykimit të tij e t'u mësonte pleqve urtinë. Atëherë Izraeli shkoi në Egjipt, Jakobi u vendos në tokën e Kamit. Dhe Zoti e shtoi shumë popullin e vet, më të fortë se armiqtë e tij e bëri. Ua ndryshoi zemrën egjiptianëve, që popullin e tij ta urrenin, që kundër shërbëtorëve të tij me dredhi të silleshin. Dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, Aronin, që vetë e kishte zgjedhur. Kryen mes tyre shenjat e tij, mrekullitë në tokën e Kamit. Dërgoi errësirën e u bë terr, fjalët e tij nuk i kundërshtoi kush. Ujërat ua ktheu në gjak, peshqit i ngordhi. Vendi i tyre gëloi me bretkosa, deri edhe në dhomat e mbretërve. Foli Zoti e u vërsulën mori mizash, mushkonjat mbarë trojet mbuluan. U dërgoi breshër në vend të shiut, flakë zjarri mbi vendin e tyre. Ua goditi vreshtat e fiqtë, pemët e tokave të tyre i theu. Foli dhe ia behën karkalecat, vemje, që s'kishin të numëruar. Ua hëngrën gjithë bimësinë e vendit, prodhimet e tokës ua përpinë. Goditi gjithë të parëlindurit e vendit, frytin e parë të pjellorisë së tyre. I nxori izraelitët me argjend e me ar, ndër fiset e tyre s'kish njeri të këputur. U gëzua Egjipti kur ata u nisën, se i kishte zënë tmerri prej tyre. Renë shtriu për t'i mbuluar, zjarrin për t'u bërë dritë natën. Kërkuan e shkurta u dërgoi, me bukë prej qiellit i ngiu. Çau shkëmbin e buruan ujëra, lumenj rrodhën nëpër shkretëtirë. I ra ndër mend fjala e tij e shenjtë, që Abrahamit, shërbëtorit të tij, i kishte thënë. Popullin e vet e nxori me ngazëllim, plot gëzim të zgjedhurit e tij. Tokat e kombeve u dha, mundin e popujve trashëguan, që të mbajnë rregullat e tij e të zbatojnë ligjet e tij. Aleluja! Aleluja! Përlëvdoni Zotin se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Kush mund t'i kumtojë bëmat e Zotit, t'u japë jehonë tërë lavdërimeve të tij? Lum ata që zbatojnë të drejtën, që veprojnë me drejtësi në çdo kohë. Kujtomë, o Zot, sipas mirëdashjes që tregon ndaj popullit tënd, eja tek unë me shpëtimin tënd, që të shoh të mirat e të zgjedhurve të tu, që të gëzoj edhe unë bashkë me kombin tënd, e të krenohem me trashëgiminë tënde. Kemi mëkatuar ashtu si etërit tanë, kemi kryer paudhësi, të keqen kemi bërë. Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan, mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan, krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq. Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter, përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë. I shpëtoi nga dora e atij që i urrente, i shpengoi prej dorës së armikut. Ujërat i mbuluan kundërshtarët, asnjë prej tyre nuk shpëtoi. Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe lavdërime atij i kënduan. Por shpejt i harruan veprat e tij e më nuk pritën për shestimin e tij. U ndezën nga lakmia në shkretëtirë, Perëndinë e tunduan në vend të shkretë. Kërkesën atyre ua plotësoi, por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse. Smirë e patën Moisiun në fushim dhe Aronin, të shenjtin e Zotit. U hap toka dhe Datanin e përpiu, turmën e Abiramit e groposi. Zjarri e përpiu grumbullin e tyre, flaka i dogji të paudhët. Një viç punuan në Horeb, një idhull të metaltë adhuruan. Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar. Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan, atë që në Egjipt vepra madhështore bëri, mrekulli në tokën e Kamit, gjëra të tmerrshme në detin e Kuq. Mendoi, atëherë, t'i shfaroste, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, mes çarjes, para tij qëndroi, që zemërimin e tij ta përmbante e të mos i shkatërronte. Tokën e dëshiruar e përbuzën, fjalës së tij nuk i besuan. Nëpër tendat e tyre murmuritën, zërin e Zotit nuk e dëgjonin. Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua, që mu në shkretëtirë t'i plandoste, që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste, nëpër vende të huaja t'i hapërdante. I ishin kushtuar Baalpeorit, kishin ngrënë flitë e të vdekurve. Me veprimet e tyre ia ndezën zemërimin, prandaj mes tyre shpërtheu gjëma. U ngrit Finehasi dhe bëri drejtësi, e atëherë gjëma u ndal. Kjo iu numërua për drejtësi, brez pas brezi, në amshim. E zemëruan sërish tek ujërat e Meribës, për shkak të tyre e pësoi edhe Moisiu. Ia hidhëruan shpirtin, ndaj foli pa mend me buzët e veta. Ata nuk i shfarosën popujt, sikurse u kishte urdhëruar Zoti. Por u përzien mes kombeve, veprat e tyre mësuan. Idhujve të tyre u shërbyen, që kurth për ta u bënë. Djemtë e vajzat e veta, djajve ua flijuan. Derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve dhe të bijave. Ua flijuan idhujve të Kanaanit, me gjakun e tyre toka u njollos. U përlyen me veprat që bënë, kryen tradhti me veprimet e tyre. Flakë u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit të vet, ndot i erdhi nga trashëgimia e tij. Në duart e kombeve i lëshoi, i sunduan ata që i urrenin. Prej armiqve u shtypën, nën zgjedhën e tyre u poshtëruan. Herë pas here i çlironte, por me synimet e tyre krye ngrinin e thellë në paudhësi fundoseshin. Ai e pa sërish mundimin e tyre dhe përgjërimin e tyre e dëgjoi. I ra ndër mend besëlidhja me ta, prej mirësisë së tij të madhe u zbut. I bëri të gjenin mëshirë prej gjithë atyre që i kishin robëruar. Shpëtona, o Zot, Perëndia ynë, prej kombeve ku gjendemi bashkona, që të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë, që të krenohemi me lavdinë tënde. Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga mot e përgjithmonë! Mbarë populli le të thotë: «Amen!». Aleluja! Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Le ta thonë të shpenguarit prej Zotit, ata që prej dorës së armikut i shpengoi e bashkë i mblodhi prej vendeve të huaja, prej lindjes e prej perëndimit, prej veriut e prej anës së detit. Endeshin nëpër shkretëtirë, në vend të thatë, pa e gjetur udhën për ndonjë qytet të banuar. Kishin uri, kishin etje, po u këputej shpirti. Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve. U priu në një udhë të drejtë, që në një qytet të banuar të shkonin. Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Se ai e ngiu shpirtin e të eturit, me të mira e mbushi shpirtin e të uriturit. Banonin në errësirë e në terr, të robëruar në mjerim e në pranga. Kishin kundërshtuar urdhrin e Perëndisë, kishin përbuzur këshillën e të Tejlartit. Prandaj ua përuli zemrën me mundime, u rrëzuan e s'kish kush t'i ndihmonte. Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve. Prej errësirës e prej territ i nxori, vargonjtë e tyre i këputi. Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Ai i copëtoi portat prej bronzi, shulat prej hekuri i theu. Ishin marrosur prej jetës së shthurur, ishin mjeruar prej paudhësisë së tyre. Nuk u donte shpirti asnjë lloj ushqimi, kishin mbërritur te portat e vdekjes. Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve. Fjalën e vet dërgoi e i shëroi, prej gropës së varrit i shpëtoi. Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Le t'i kushtojnë fli falënderimi, le të shpallin veprat e tij me ngazëllim. Ata që lundrojnë në det me anije, që nëpër ujërat e shumtë bëjnë tregti, ata i kanë parë veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij nëpër thellësi. Ai foli dhe shpërtheu era e stuhishme, dallgët e detit lart u ngritën. Ngjiten në qiell, zbresin në humnerë, shpirti u këputet prej rrezikut. Lëkunden e dridhen si të dehur, tërë mjeshtëria u është sosur. Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i nxori prej mjerimeve. Stuhinë e bëri bunacë, u qetësuan valët e detit. Prej qetësimit të valëve u gëzuan, në limanin e dëshiruar ai u priu. Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve. Le ta lartësojnë në kuvendin e popullit, le ta lavdërojnë në këshillin e pleqve. Ai i ktheu lumenjtë në shkretëtirë, burimet e ujërave në vend të thatë. Tokën pjellore e ktheu në kripore, për shkak të ligësisë së banorëve të saj. Shkretëtirën e shndërroi në liqen, tokën e thatë në burime ujërash. Atje i strehoi të uriturit, atje ngritën qytete për të banuar. Mbollën ara, mbëltuan vreshta, që dhanë prodhim të mbarë. I bekoi e fort u shumuan, bagëtinë nuk ua pakësoi. Por mandej u mpakën e u poshtëruan prej mundimit të mjerimit e dhimbjes. Përçmim hodhi mbi prijësit, i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë. Të varfrin e shpëtoi nga mjerimi, familjet ua shtoi porsi bagëtitë. Do të shohin të drejtët e do të gëzojnë, çdo paudhësi gojën do të mbyllë. Kush është i urtë le t'i ruajë këto e mirësinë e Zotit le ta kuptojë. Këngë. Psalm i Davidit. Zemra ime është e fortë, o Perëndi. Do të këndoj e do të thur himne me gjithë shpirtin tim. Zgjohu, ti o harpë dhe lirë, se dua të zgjoj agimin. Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot, do të këndoj për ty mes kombeve. Se mirësia jote lartohet deri në qiej, e besnikëria jote deri ndër retë. Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi, le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë! Shpëtona me të djathtën tënde e dëgjona, që ta fitojnë lirinë ata që të duan. Perëndia foli në shenjtëroren e tij: «Do të ngadhënjej e do ta ndaj Shekemin, luginën e Sukotit do ta mat. Imi është Gileadi, imi Manaseu, Efraimi është përkrenarja ime, Juda skeptri im, Moabi legeni ku lahem, në Edom i hedh sandalet, mbi Filistinë do të brohoras». Kush do të më çojë deri në fortesë? Kush do të më prijë deri në Edom? A nuk je ti, o Perëndi, që na ke hedhur poshtë, ti, që me ushtritë tona nuk marshon më? Dërgona ndihmën tënde kundër armikut, se ndihma e njeriut është e kotë. Me Perëndinë do të bëhemi të fortë, ai do t'i shtypë armiqtë tanë. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. O Perëndi, lavdi im, mos hesht! Se goja e të paudhit dhe goja e mashtruesit është hapur kundër meje, kanë folur kundër meje me gjuhë gënjeshtare. Më kanë rrethuar me fjalë urrejtjeje, më kanë sulmuar pa shkak. Dashurisë sime i përgjigjen me padi, por unë veç lutem. Të mirën ma kthejnë me të keqe, dashurinë ma shpërblejnë me urrejtje. «Cakto një të paudhë mbi të», thonë, «Një paditës, që t'i rrijë në të djathtë. Daltë fajtor kur ta gjykojnë, lutja iu ktheftë në mëkat. Qofshin të pakta ditët e tij, vendin e tij e zëntë një tjetër. Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij vejushë. Iu bëfshin bijtë endacakë e lypsarë, rrëmofshin larg rrënojave të tyre. Pasurinë ia marrtë huadhënësi, të huajt e përlafshin mundin e tij. Askush mos tregoftë mirësi për të, askujt mos iu dhimbshin jetimët e tij. Pasardhësit e tij u shfarosshin, u shoftë emri i tyre pas një breznie. E kujtoftë Zoti paudhësinë e etërve të tij, mëkatin e nënës së tij mos e shleftë. Para syve të Zotit qofshin përherë, u zhduktë nga toka kujtimi i tyre. Se nuk u kujtua të tregojë mirësi, por e mundonte skamnorin e nevojtarin, zemërthyerin e ndiqte deri në vdekje. E donte mallkimin, rëntë, pra, mbi të! S'e donte bekimin, qoftë, pra, larg tij! E vishte mallkimin si rrobë, e pra, ia përshkoftë të përbrendshmet si uji dhe kockat porsi vaji. Iu bëftë porsi rroba që vesh, si brezi që mban përherë ngjeshur». Këtë shpagim paçin prej Zotit paditësit e mi, bashkë me ata që flasin keq kundër shpirtit tim. E ti, o Zot, Zoti im, vepro për mua, siç i ka hije emrit tënd! E dashur është mirësia jote, shpëtomë! Se skamnor e nevojtar jam unë e zemra ime sëmbon brenda meje. Po tretem si hija e muzgut, po më shkundin si karkalecin. Gjunjët po më këputen nga të pangrënët, mishi po më tretet pa dhjamë. Jam kthyer në përqeshje për ta, kur më shikojnë, tundin kokën. Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë sipas mirësisë sate. Le ta dinë se kjo është dora jote dhe se ti, o Zot, e bëre këtë. Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh. Ata që ngrihen kundër meje do të turpërohen, ndërsa shërbëtori yt do të gëzohet. U veshshin me turp ata që më paditin, me turpin e vet si me petk u mbështjellshin. E unë do ta përlëvdoj Zotin me plot gojën, në mes të turmës së madhe do ta lavdëroj. Se ai i rri në të djathtë skamnorit dhe e shpëton nga ata që e gjykojnë. Psalm i Davidit. I tha Zoti zotit tim: «Ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu si shtrojë te këmbët e tua». Skeptrin e pushtetit tënd do ta shtrijë Zoti prej Sionit; sundo mes armiqve të tu! Popullin e ke me vete, të gatshëm, ditën e fuqisë sate, mes shkëlqimit të shenjtërisë. Prej gjirit të agimit, do të vijë te ti vesa e të rinjve të tu. Zoti u betua e nuk do të pendohet: «Ti je prift përjetë sipas urdhrit të Melkisedekut». Zoti është në të djathtën tënde do t'i dërrmojë mbretërit ditën e zemërimit të tij. Do të gjykojë kombet, do t'i mbushë me kufoma, do t'u thyejë kokat në tokën mbarë. Udhës do të pijë prej përroit, ndaj kokën do ta mbajë lart. Aleluja! Do ta përlëvdoj Zotin me gjithë zemër në kuvendin e të drejtëve, në mes të bashkësisë. Të mëdha janë veprat e Zotit, të gjithë ata që i dëshirojnë, i shqyrtojnë ato. Shkëlqim e madhështi është vepra e tij, drejtësia e tij mbetet përjetë. Bëri mrekulli për t'u përkujtuar, i mëshirshëm e i dhembshur është Zoti. I ushqen ata që e druajnë, besëlidhjen e vet e kujton përjetë. I dëftoi popullit të vet fuqinë e veprave të tij, kur i dha trashëgiminë e kombeve. Të vërteta e të drejta janë veprat e duarve të tij, të besueshme janë të gjitha mësimet e tij. Ato mbeten përjetë e në amshim, janë bërë me vërtetësi e drejtësi. E çliroi popullin e tij, besëlidhjen me të e bëri të përjetshme, i shenjtë e i tmerrshëm është emri i tij. Fillimi i urtisë është droja e Zotit, kush vepron me të, fiton mençuri. Lavdia e tij mbetet përherë! Aleluja! Lum njeriu që e druan Zotin, që gjen kënaqësi të madhe në urdhërimet e tij. Pasardhësit e tij do të jenë të fortë mbi tokë, breznia e të drejtëve do të bekohet. Pasuri e begati do të ketë në shtëpinë e tij dhe drejtësia e tij do të mbetet përjetë. Për të drejtët lindi drita mes errësirës, i mëshirshëm, i dhembshur dhe besnik është ai. I mirë është njeriu i mëshirshëm që jep hua, që i bën punët e tij me drejtësi. Ai nuk do të tronditet kurrë, i drejti do të kujtohet përjetë. Lajmit të keq nuk i trembet, zemra e tij ka besim të patundur te Zoti. Zemra e tij është e fortë, nuk do të tutet, derisa të shohë shkatërrimin e armiqve të tij. Është dorëdhënës, u jep nevojtarëve, drejtësia e tij mbetet përjetë, ballin e mban lart me nder. Do ta shohë i paudhi e do të pezmatohet, do të kërcëllojë dhëmbët e do të venitet, Dëshira e të paudhëve do të marrë fund. Aleluja. Lavdëroni, o shërbëtorë të Zotit, lavdëroni emrin e Zotit. Qoftë bekuar emri i Zotit që tani e deri në amshim! Nga lindja e diellit deri në perëndim lëvduar qoftë emri i Zotit! Zoti është më lartë se gjithë kombet, lavdia e tij është përmbi qiejt. Kush është si Zoti, Perëndia ynë, që banon në lartësi, që përkulet për të parë qiellin e tokën mbarë? Nga pluhuri ai e ngre të mjerin, nevojtarin prej plehut e lartëson. Me fisnikët e vë të ulet, me fisnikët e popullit të vet. Beronjën e bën zonjë shtëpie, nënë fëmijësh plot ngazëllim. Aleluja! Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull i huaj, Juda u bë shenjtërorja e Zotit, Izraeli zotërimi i tij. Deti pa e iku, Jordani u kthye pas. Malet kërcyen si desh, kodrat si qengja dhensh. Ç'pate, o det, që ike, e ti, o Jordan, që pas u ktheve? Ç'patët, o male, që si desh kërcyet, e ju, o kodra, porsi qengja dhensh? Dridhu, o tokë, para Zotit, para Perëndisë së Jakobit! Ai e ktheu shkëmbin në liqen, shkrepin në burime ujërash. Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për hir të mirësisë sate, për hir të besnikërisë sate. Përse të thonë kombet: «Ku është Perëndia i tyre?». Perëndia ynë është në qiell e bën gjithçka dëshiron. Idhujt e tyre janë argjend e ar, vepra të duarve të njeriut. Kanë gojë e nuk flasin, sy e nuk shohin, veshë e nuk dëgjojnë, hundë e nuk nuhasin, duar e nuk prekin, këmbë e nuk ecin, prej fytit zë nuk nxjerrin. Ashtu qofshin edhe ata që i bëjnë, të gjithë sa në to besojnë. Beso në Zotin, o Izrael! Ai është ndihma dhe mburoja e tyre. Beso në Zotin, o shtëpi e Aronit! Ai është ndihma dhe mburoja e tyre. Besoni në Zotin, o ju që Zotin druani! Ai është ndihma dhe mburoja e tyre. Zoti u kujtua për ne e do të na bekojë. Do ta bekojë shtëpinë e Izraelit, do ta bekojë shtëpinë e Aronit. Do të bekojë ata që Zotin druajnë, të vegjël e të mëdhenj. Zoti ju shtoftë, ju dhe bijtë tuaj! Qofshi të bekuar prej Zotit, që bëri qiellin e tokën. Qiejt janë qiejt e Zotit, tokën ua ka dhënë bijve të njeriut. Zotin nuk do ta lavdërojnë të vdekurit, as ata që zbresin në vendin e heshtjes, por Zotin do ta bekojmë ne, që tani e deri në amshim! Aleluja! E dua Zotin, se ai e dëgjon zërin e përgjërimit tim. Veshin drejt meje ai e ul, prandaj do ta thërras çdo ditë. Më kishin rrethuar litarët e vdekjes, më kishin zënë tmerret e skëterrës, fatkeqësia e dhimbja më kishin plandosur. Atëherë thirra emrin e Zotit: «O Zot, shpëtoje shpirtin tim!». I mëshirshëm është Zoti dhe i drejtë, Perëndia ynë është përdëllyes. Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; poshtë kisha rënë e më shpëtoi. Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, se Zoti është treguar i mirë me ty. Ti ma shpëtove jetën nga vdekja, sytë nga lotët e këmbën nga rrëshqitja. Do të eci në praninë e Zotit, në tokën e të gjallëve. Besoj, edhe kur them: «Jam shumë i pikëlluar!». Në pështjellimin tim thashë: «Mashtrues është çdo njeri!». Si do t'ia shpërblej Zotit gjithë të mirat që më bëri? Kupën e shpëtimit do të ngre dhe emrin e Zotit do të thërras. Premtimet që i bëra Zotit do t'i përmbush para gjithë popullit të tij. E çmuar është në sytë e Zotit vdekja e besnikëve të tij. Unë, o Zot, jam shërbëtori yt, shërbëtori yt e biri i shërbëtores sate, vargonjtë e mi ti i këpute. Ty do të të kushtoj fli falënderimi dhe emrin e Zotit do të thërras. Premtimet që i bëra Zotit do t'i përmbush para gjithë popullit të tij, në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jerusalem! Aleluja! Lavdëroni Zotin, o kombe mbarë, madhërojeni, të gjithë ju popuj. E madhe është mirësia e tij ndaj nesh, besnikëria e Zotit mbetet në amshim. Aleluja! Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Le të thotë Izraeli se mirësia e tij mbetet përjetë. Le të thotë shtëpia e Aronit se mirësia e tij mbetet përjetë. Le të thonë ata që druajnë Zotin se mirësia e tij mbetet përjetë. Kur isha në fatkeqësi i thirra Zotit e Zoti më dëgjoi e më lehtësoi. Zoti është me mua, nuk kam frikë nga asgjë. Çfarë do të më bëjë njeriu? Për ndihmë kam Zotin, ndaj do t'i shpërfill ata që më urrejnë. Më mirë të kërkosh strehë te Zoti, sesa të kesh besim te njerëzit. Më mirë të kërkosh strehë te Zoti, sesa të kesh besim te prijësit. Të gjitha kombet më rrethuan, por i zmbrapsa me emrin e Zotit. Më kishin rrethuar nga çdo anë, por i zmbrapsa me emrin e Zotit. Më kishin rrethuar si bletët, por u shfarosën si ferrat nga flaka, se i zmbrapsa me emrin e Zotit. Më shtynë fort për të më rrëzuar, por më ndihmoi Zoti. Fuqia e forca ime është Zoti, ai u bë shpëtimtari im. Britma gëzimi e shpëtimi jehojnë në tendat e të drejtëve: «E djathta e Zotit bën çudira! E djathta e Zotit u lartësua! E djathta e Zotit bën çudira!». S'kam për të vdekur, do të rroj dhe veprat e Zotit do t'i tregoj. Zoti më mundoi shumë, por në duart e vdekjes nuk më la. Më hapni portat e drejtësisë, që të hyj e të përlëvdoj Zotin. Ja ku është porta e Zotit, nëpër të do të hyjnë të drejtët. Do të të përlëvdoj, se më dëgjove e shpëtimtari im u bëre. Guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Prej Zotit u bë kjo dhe është e mrekullueshme për sytë tanë. Kjo është dita që e bëri Zoti, le të ngazëllejmë e të gëzojmë në të! O Zot, shpëtona! O Zot, jepna mbarësi! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Ju bekojmë nga shtëpia e Zotit. Perëndi është Zoti dhe ai na ndriçoi. Radhituni për festë, me degë në duar, deri te brirët e altarit. Ti je Perëndia im, ty të përlëvdoj, ti je Perëndia im, ty të madhëroj. Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Lum njerëzit me sjellje të përsosur, që ecin sipas ligjit të Zotit! Lum ata që mbajnë dëshmitë e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër, që nuk kryejnë paudhësi, por ecin në udhët e tij. Ti ke dhënë porositë e tua, që me përpikëri të ruhen. Qoftë e palëkundur sjellja ime, që rregullat e tua t'i ruaj. Atëherë nuk kam për t'u turpëruar, kur të këqyr gjithë urdhërimet e tua. Do të të përlëvdoj me zemër të dëlirë, teksa mësoj vendimet e tua të drejta. Rregullat e tua do t'i ruaj, mos më braktis krejt! Si mund ta ruajë i riu të pastër udhën e vet? Duke ruajtur fjalën tënde. Ty të kërkoj me gjithë zemër, mos më lër t'u shmangem urdhërimeve të tua. Thëniet e tua i mbaj fshehur në zemër, që të mos mëkatoj kundër teje. I bekuar je, o Zot, mësomë rregullat e tua. Me buzët e mia i shpalla tërë vendimet e gojës sate. Gëzohem kur ndjek dëshmitë e tua, si të ishin gjithë pasuria ime. Do të përsiat porositë e tua, do të thellohem në shtigjet e tua. Me rregullat e tua do të kënaqem, fjalën tënde nuk do ta harroj. Tregohu i mirë me shërbëtorin tënd, që të jetoj e të ruaj fjalën tënde. Hapmi sytë, që të sodis mrekullitë e ligjit tënd. Kalimtar jam unë mbi tokë, mos m'i fshih urdhërimet e tua. Tretet shpirti im prej dëshirës që ka për vendimet e tua kurdoherë. Ti i qorton kryelartët, të mallkuarit, që u shmangen urdhërimeve të tua. Largoje prej meje turpin e poshtërimin, se dëshmitë e tua i kam ruajtur. Edhe kur prijësit mblidhen e flasin kundër meje, shërbëtori yt përsiat rregullat e tua. Dëshmitë e tua janë kënaqësia ime, ato janë këshilltarët e mi. Nëpër pluhur zvarritet shpirti im, jepmë jetë sipas fjalës sate. Udhët e mia t'i dëftova e ti m'u përgjigje, mësomë rregullat e tua. Bëmë të kuptoj udhën e porosive të tua, që të përsiat mrekullitë e tua. Lëngon prej brengës shpirti im, jepmë forcë sipas fjalës sate. Mbamë larg udhës së mashtrimit dhe përdëllemë me ligjin tënd. Kam zgjedhur udhën e besnikërisë, jam dhënë pas vendimeve të tua. Jam kapur pas dëshmive të tua, o Zot, mos lejo të turpërohem! Udhës së urdhërimeve të tua vrapoj, se ti ma bëre zemrën të gufojë. Mësomë, o Zot, udhën e rregullave të tua, dhe unë do ta ndjek deri në fund. Me jep mençuri për të mbajtur ligjin tënd e unë do ta ruaj me gjithë zemër. Primë në shtegun e urdhërimeve të tua, se atje gjej kënaqësi. Prire zemrën time drejt dëshmive të tua e jo drejt lakmisë. Largo sytë e mi nga soditja e kotësisë, jepmë jetë në udhët e tua. Mbaje premtimin që i dhe shërbëtorit tënd, atij që të druan ty. Largoje prej meje poshtërimin, që më tmerron, se vendimet e tua janë të mira. Ja, sa i dëshiroj porositë e tua, jepmë jetë me drejtësinë tënde. Ardhtë mbi mua mirësia jote, o Zot, shpëtimi yt, sipas fjalës sate, që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë, se te fjala jote kam besim. Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës, se në vendimet e tua kam shpresuar. Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë, përherë e në amshim. Do të eci udhës së gjerë, sepse kërkoj porositë e tua. Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua e turp nuk do të kem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, që aq fort i dua. Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua, rregullat e tua do t'i përsiat. Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më dhe shpresë. Atë e kam ngushëllim në pikëllime, fjala jote më mban gjallë. Kryelartët më përqeshnin së tepërmi, por unë nuk u shmanga nga ligji yt. Kujtova vendimet e tua të lashta, o Zot, dhe gjeta ngushëllim. Më pushtoi zemërimi për të paudhët, për ata që braktisin ligjin tënd. Rregullat e tua ishin këngë për mua atje ku isha shtegtar. Kujtova emrin tënd natën, o Zot, dhe ligjin tënd e ruajta. Këto më ndodhën mua, se mbajta porositë e tua. Zoti është pjesa e trashëgimit tim, premtova se do t'i ruaj fjalët e tua. Ty t'u përgjërova me gjithë zemër, mëshiromë sipas fjalës sate. I shqyrtova mirë udhët e tua dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva. Shpejtova e nuk vonova urdhërimet e tua për t'i ruajtur. Leqet e të paudhëve më rrethuan, por ligjin tënd nuk e harrova. Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj për vendimet e tua të drejta. Jam mik me të gjithë ata që të druajnë e me ata që ruajnë porositë e tua. Toka është plot me mirësinë tënde, o Zot, mësomë rregullat e tua. I bëre të mira shërbëtorit tënd, sipas fjalës sate, o Zot. Mësomë dijen e të dalloj të mirën, se tek urdhërimet e tua kam besim. Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur, por tani mbaj fjalën tënde. I mirë je ti e të mira bën, mësomë rregullat e tua. Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime, por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua. U trash si dhjami zemra e tyre, ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd. Më bëri mirë që u mundova, se mësova rregullat e tua. Më i mirë për mua është ligji i gojës sate, sesa mijëra monedha ari e argjendi. Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë, më jep mençuri, që të mësoj urdhërimet e tua. Ata që të druajnë gëzojnë kur më shohin, sepse kam shpresuar në fjalën tënde. E di, o Zot, se vendimet e tua janë të drejta, me të drejtë më ke munduar. Më ngushëlloftë, pra, mirësia jote, sipas fjalës që i dhe shërbëtorit tënd. Ardhtë mëshira jote mbi mua, që të jetoj, se ligji yt është kënaqësia ime. U turpërofshin kryelartët, se më kanë shtypur padrejtësisht, ndërsa unë do të përsiat porositë e tua. Le të kthehen tek unë ata që të druajnë dhe ata që i njohin dëshmitë e tua. Qoftë e përsosur zemra ime me rregullat e tua, që të mos turpërohem. Shpirti im digjet për shpëtimin tënd, në fjalën tënde kam shpresuar. Sytë po më treten për fjalën tënde, prandaj thashë: «Kur do të më ngushëllosh?». Jam bërë si caliku i tharë në tym, por rregullat e tua s'i kam harruar. Edhe sa ditë i kanë mbetur shërbëtorit tënd? Kur do t'ua bësh gjyqin përndjekësve të mi? Kryelartët kanë hapur gropa për mua, ata që s'jetojnë sipas ligjit tënd. Tërë urdhërimet e tua janë të vërteta; po më përndjekin pa të drejtë, ndihmomë! Desh më plandosën përtokë, por unë s'i braktisa porositë e tua. Jepmë jetë sipas mirësisë sate dhe dëshmitë e gojës sate do t'i ruaj. Përgjithmonë, o Zot, fjala jote qëndron në qiej. Besnikëria jote është brez pas brezi, ti e themelove tokën e ajo mbahet fort. Me urdhrin tënd qëndrojnë deri më sot, se gjithçka është në shërbimin tënd. Po të mos ishte ligji yt kënaqësia ime, do të kisha humbur në mjerim. Porositë e tua nuk do t'i harroj kurrë, se përmes tyre më ke mbajtur gjallë. Yti jam unë, shpëtomë, se porositë e tua i kërkoj. Të paudhët presin të më shkatërrojnë, por unë përsiat dëshmitë e tua. Çdo përsosmërie ia kam parë cakun, por urdhërimi yt është i gjerë pa fund. Sa shumë e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e përsiat! Urdhërimi yt më bën më të urtë se armiqtë, se është përherë me mua. Jam më i ditur se të gjithë mësuesit e mi, sepse dëshmitë e tua janë përsiatja ime. Jam më i mençur edhe se pleqtë, sepse mbaj porositë e tua. I kam shmangur këmbët nga çdo udhë e keqe, që të ruaj fjalën tënde. Prej vendimeve të tua nuk jam shmangur, sepse më ke mësuar ti. Sa të ëmbla fjalët e tua për qiellzën time, më të ëmbla se mjalti në gojën time! Prej porosive të tua bëhem më i mençur, prandaj e urrej çdo udhë të gënjeshtërt. Fjala jote është llambë për këmbën time, dritë për shtegun tim. Jam betuar e fjalën do ta mbaj: vendimet e tua të drejta do t'i ruaj. Jam munduar së tepërmi, o Zot, jepmë jetë sipas fjalës sate! Pranoji, o Zot, zotimet e gojës sime dhe mësomë vendimet e tua. Jeta ime është përherë në rrezik, por ligjin tënd nuk e harroj. Të paudhët më kanë ngritur kurth, por nuk u jam shmangur porosive të tua. Dëshmitë e tua janë trashëgimia ime përjetë, se ato janë gëzimi i zemrës sime. E kam vendosur në zemrën time, që rregullat e tua t'i zbatoj përjetë, deri në fund. I urrej ata që janë me dy fytyra, por e dua ligjin tënd. Ti je streha dhe mburoja ime, shpresoj në fjalën tënde. Largohuni prej meje, o ju që bëni të keqen, që të zbatoj urdhërimet e Perëndisë tim. Përkrahmë sipas fjalës sate, që të jetoj, e mos lejo të më shuhen shpresat. Mbamë fort e do të shpëtoj, rregullat e tua do t'i kem përherë në mendje. Ti i hedh poshtë të gjithë sa u shmangen rregullave të tua, se ata janë plot gënjeshtër e mashtrim. Gjithë të këqijtë i zhbin si zgjyrë nga faqja e dheut, prandaj unë i dua dëshmitë e tua. Më dridhet mishi prej frikës sate, prej gjykimeve të tua më zë tmerri. Kam vepruar me gjykim e drejtësi, mos më lër në dorë të shtypësve të mi. Bëhu dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd, që të mos më shtypin kryelartët. Sytë po më treten për shpëtimin tënd e për fjalën e drejtësisë sate. Vepro me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate e mësomë rregullat e tua. Shërbëtori yt jam unë, bëmë të kuptoj, që t'i njoh dëshmitë e tua. Është koha të veprosh, o Zot, se e kanë thyer ligjin tënd. Prandaj i dua urdhërimet e tua, më shumë se arin, arin e kulluar. Prandaj i mbaj si të drejta gjithë porositë e tua dhe e urrej çdo udhë të gënjeshtërt. Dëshmitë e tua janë të mrekullueshme, prandaj i ruan shpirti im. Zbulimi i fjalëve të tua sjell ndriçim, njerëzve të thjeshtë u jep mençuri. Hapa gojën e dihata nga dëshirimi për urdhërimet e tua. Kthehu nga unë e mëshiromë, sipas vendimit që ke marrë për ata që duan emrin tënd. Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate e mos lejo të më sundojë asnjë paudhësi. Çliromë nga njerëzit që më shtypin, që të ruaj porositë e tua. Le të ndriçojë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, mësomë rregullat e tua. Rrëke lotësh derdhën sytë e mi, se ligji yt nuk zbatohet. I drejtë je ti, o Zot, të drejta vendimet e tua. Ti ke dhënë dëshmi të drejta e më se të besueshme. Zelli po më bren, se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e sprovuar në zjarr, prandaj shërbëtori yt e do. I vogël jam unë e i përbuzur, por porositë e tua nuk i harrova. Drejtësia jote është e drejtë përjetë dhe ligji yt është i vërtetë. Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi, por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua. Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar, bëmë të kuptoj, që të kem jetë. Po thërras me gjithë zemër, përgjigjmu, o Zot, rregullat e tua do t'i ruaj. Po të thërras, shpëtomë, dëshmitë e tua do t'i ruaj. Zgjohem para agimit e thërras për ndihmë, shpresoj në fjalën tënde. Sytë e mi rrinë zgjuar çdo rojë të natës, për të përsiatur fjalët e tua. Dëgjoma zërin sipas mirësisë sate, o Zot, jepmë jetë sipas gjykimit tënd. Më janë afruar ata që rendin pas paudhësisë, larg janë nga ligji yt. Por ti, o Zot, je afër dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Qëmoti kam mësuar prej dëshmive të tua se i ke caktuar për amshim. Shih mjerimin tim e çliromë, se nuk e kam harruar ligjin tënd. Mbroje çështjen time e shpengomë, jepmë jetë sipas fjalës sate. Shpëtimi është larg nga të paudhët, se nuk i kërkojnë rregullat e tua. Përdëllimet e tua janë të mëdha, o Zot, jepmë jetë sipas vendimeve të tua. Të shumtë janë përndjekësit dhe armiqtë e mi, por nga dëshmitë e tua nuk jam shmangur. I pashë të pabesët e më erdhi pështirë, se nuk e mbajtën fjalën tënde. Shih sa i dua porositë e tua, o Zot, jepmë jetë sipas mirësisë sate. Parimi i fjalës sate është e vërteta, çdo vendim i yt i drejtë është për amshim. Prijësit më përndjekin pa shkak, por zemra ime trembet veç prej fjalës sate. Ngazëllej për fjalën tënde, si ai që gjen shumë plaçkë. E urrej mashtrimin e më kall krupën, por ligjin tënd e dua. Të lavdëroj shtatë herë në ditë për vendimet e tua të drejta. Paqe të madhe kanë ata që duan ligjin tënd, asgjë nuk i pengon. Shpëtimin tënd pres, o Zot, dhe mbaj urdhërimet e tua. Shpirti im i ruan dëshmitë e tua e unë fort i dua. Porositë dhe dëshmitë e tua i kam mbajtur, gjithë udhët e mia janë para teje. Ardhtë përgjërimi im para teje, o Zot, bëmë të kuptoj sipas fjalës sate. Mbërrittë lutja ime para teje, sipas fjalës sate çliromë. Nga buzët e mia do të burojnë lavde, se më ke mësuar rregullat e tua. Gjuha ime shpalltë fjalën tënde, se gjithë urdhërimet e tua janë të drejta. Dora jote më ardhtë në ndihmë, se kam zgjedhur porositë e tua. Shumë e dëshiroj shpëtimin tënd, o Zot, ligji yt është kënaqësia ime. Jetoftë shpirti im e të lavdëroftë, vendimet e tua më ndihmofshin! Po endem si delja e humbur, kërkoje shërbëtorin tënd, se urdhërimet e tua nuk i kam harruar. Këngë shtegtimesh. Në fatkeqësi i thirra Zotit e ai m'u përgjigj. O Zot, shpëtomë prej buzëve gënjeshtare, dhe prej gjuhës mashtruese. Ç'do të marrësh e ç'do të fitosh, o gjuhë mashtruese? Shigjeta të mprehta luftëtari me thëngjij të ndezur dëllinje. I mjeri unë që banoj në Meshek e rri ndër tendat e Kedarit. Tepër gjatë ka jetuar shpirti im me njerëz që urrejnë paqen. Unë jam për paqen, por, kur flas, ata kërkojnë luftë. Këngë shtegtimesh. I ngrita sytë drejt maleve, prej nga do të më vijë ndihma? Ndihma më vjen nga Zoti, që krijoi qiellin e tokën. Ai s'do të lejojë të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të kotet. Jo, ai që mbron Izraelin nuk do të kotet e as nuk do të flejë. Zoti është mbrojtësi yt, Zoti është mburoja jote, ai qëndron në të djathtën tënde. Dielli nuk do të të godasë ditën e as hëna natën. Zoti do të të mbrojë nga çdo e keqe, ai do ta mbrojë jetën tënde. Zoti do të mbrojë vajtjet e ardhjet e tua, që tani e deri në amshim. Këngë shtegtimesh. Psalm i Davidit. U gëzova kur më thanë: «Të shkojmë në shtëpinë e Zotit!». Dhe, ja, këmbët tona u ndalën te portat e tua, o Jerusalem! Jerusalemi, ndërtuar si një qytet, i bashkuar e i mbledhur tok. Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, sipas dëshmisë dhënë Izraelit, për të përlëvduar emrin e Zotit. Atje janë vënë fronet e gjykimit, fronet e shtëpisë së Davidit. Lutuni për paqen e Jerusalemit: «Qofshin të begatë ata që të duan! Pastë paqe brenda mureve të tua, qetësi në fortesat e tua!». Për hir të vëllezërve e të miqve të mi, teksa do të them: «Paqja qoftë me ty!». Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, do të kërkoj të mirën tënde. Këngë shtegtimesh. Te ti i kam ngritur sytë, te ti që banon në qiej. Ashtu si sytë e shërbëtorëve shohin nga duart e të zotërve, ashtu si sytë e shërbëtores shohin nga duart e zonjës së vet, ashtu edhe sytë tanë shohin drejt Zotit, Perëndisë tonë, derisa të ketë mëshirë për ne. Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, se na kanë mbuluar përbuzjet. Shpirti ynë është mbushur me përqeshjet e kryelartëve dhe me përbuzjet e mburravecëve. Këngë shtegtimesh. Psalm i Davidit. Po të mos kishte qenë Zoti me ne, le ta thotë, pra, Izraeli, po të mos kishte qenë Zoti me ne, kur njerëzit u ngritën kundër nesh, atëherë do të na kishin përpirë të gjallë, kur zemërimi i tyre shpërtheu kundër nesh. Do të na kishin rrëmbyer ujërat, përroi do të na kishte mbuluar, atëherë tërbimi i ujërave do të kishte kaluar mbi ne. Bekuar qoftë Zoti që nuk na la të binim pre e dhëmbëve të tyre! Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarëve, laku u këput e ne shpëtuam. Ndihma jonë është në emër të Zotit që krijoi qiellin e tokën. Këngë shtegtimesh. Ata që kanë besim te Zoti janë si mali i Sionit, që nuk trandet, por mbetet në amshim. Jerusalemi është i rrethuar me male, Zoti rrethon popullin e vet që tani e deri në amshim. Skeptri i të paudhëve nuk do të sundojë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i zgjatin duart për të bërë paudhësi. Të mirëve, o Zot, bëju mirë, edhe atyre që janë zemërdrejtë. Por ata që shkojnë nëpër udhë të shtrembra, Zoti do t'i degdisë bashkë me të paudhët. Paqe mbi Izraelin! Këngë shtegtimesh. Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na u duk sikur ishim në ëndërr. Atëherë goja jonë u mbush me gëzim e gjuha jonë plot brohori. Asokohe thuhej ndër kombe: « Zoti bëri vepra të mëdha për ta». Po, vepra të mëdha bëri Zoti për ne, prandaj dhe ishim të gëzuar. Ktheji sërish, o Zot, robërit tanë, si përrenjtë e Negevit. Ata që mbjellin me lot, do të korrin me gëzim. Kur shkojnë, qajnë dhe mbartin farën për ta mbjellë, por kthehen plot gëzim dhe mbartin duajt e tyre. Këngë shtegtimesh. E Solomonit. Nëse nuk e ndërton Zoti shtëpinë, më kot mundohen ndërtuesit. Nëse nuk e ruan Zoti qytetin, më kot rrinë zgjuar rojat. Më kot ngriheni qëmenatë e qëndroni zgjuar deri vonë, për të ngrënë bukën e mundimit. Se Zoti i jep atij që do, edhe në gjumë. Ja, bijtë janë trashëgimi prej Zotit, fryti i barkut është shpërblimi i tij. Si shigjetat në dorën e trimit, ashtu janë bijtë e djalërisë. Lum ai që e ka të mbushur kukurën me to, se s'do të turpërohet, kur të flasë me armiqtë te porta. Këngë shtegtimesh. Lum gjithë ata që Zotin druajnë dhe ecin udhëve të tij. Do të hash frytin e duarve të tua, do të jesh i lum e do të kesh të mira. Gruaja jote do të jetë si hardhi pjellore në dhomat e shtëpisë sate, bijtë e tu si filiza ulliri përreth tryezës sate. Ja, kështu do të bekohet njeriu, që Zotin druan. Të bekoftë Zoti prej Sionit e pafsh të mirën e Jerusalemit tërë ditët e jetës sate! Pafsh edhe bijtë e bijve të tu! Paqe mbi Izraelin! Këngë shtegtimesh. Shumë më kanë luftuar që në rini, le ta thotë, pra, Izraeli, shumë më kanë luftuar që në rini, por nuk ia dolën të më mposhtin. Bujqit kanë mihur mbi kurrizin tim, hulli të gjata aty kanë bërë. Por Zoti është i drejtë, leqet e të paudhëve i këputi. U turpërofshin e u kthefshin pas, gjithë sa urrejnë Sionin! U bëfshin si bari i pullazeve, që thahet para se të rritet. Me të korrësi s'e mbush dot dorën e as krahët ai që mbledh duajt. E as kalimtarët nuk do të thonë: «Bekimi i Zotit qoftë mbi ju! Ju bekojmë në emër të Zotit!». Këngë shtegtimesh. Prej thellësive të thërras, o Zot, o Zot, dëgjoje thirrmën time, le ta dëgjojnë veshët e tu zërin e përgjërimit tim. Po t'i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, kush qëndron vallë? Por pranë teje gjendet falja, ndaj dhe të druajnë. E pres Zotin, e pret shpirti im, te fjala e tij e kam vënë shpresën. Shpirti im e pret Zotin më shumë se rojat mëngjesin, më shumë se rojat mëngjesin. Shpreso në Zotin, o Izrael, se pranë Zotit është mirësia e pranë tij është i madh shpëtimi. Ai do ta shpengojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij. Këngë shtegtimesh. E Davidit. O Zot, nuk krenohet zemra ime e sytë nuk i ngre lart. Nuk rend pas madhështive, as pas gjërave tepër të vështira. Por jam qetësuar e shpirti më është prehur, si foshnja e zvjerdhur me të ëmën, si foshnja e zvjerdhur është shpirti im me mua. Le të shpresojë Izraeli te Zoti, që tani e deri në amshim. Këngë shtegtimesh. Kujto, o Zot, Davidin dhe gjithë mundimet e tij, si iu betua Zotit, si iu zotua të fuqishmit të Jakobit: «Nuk do të hyj nën pullazin e shtëpisë sime, nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim, nuk do t'u jap gjumë syve të mi e as dremitje qepallave të mia, derisa të gjej një vend për Zotin, një banesë për të fuqishmin e Jakobit». Ja, dëgjuam se arka ishte në Efratë, e gjetëm në fushat e Jaarit. Le të hyjmë në banesën e Zotit, le të përkulemi me nderim te shtroja e këmbëve të tij. Ngrihu, o Zot, dhe eja në vendin e prehjes sate, ti dhe arka jote e fuqishme. Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi dhe besnikët e tu le të brohorasin. Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e hidh poshtë të vajosurin tënd. Zoti iu betua me të vërtetë Davidit e nuk do ta shkelë betimin: «Do të vë mbi fronin tënd një nga frytet e barkut tënd. Në mbajtshin bijtë e tu besëlidhjen time dhe dëshmitë që do t'u mësoj, edhe bijtë e tyre përgjithmonë mbi fronin tënd do të ulen». Ja, Zoti zgjodhi Sionin, atë pëlqeu për banesë të tij. «Ky do të jetë përjetë vendi i prehjes sime, këtu do të banoj, se më pëlqen. Prodhimet e tij do t'i bekoj pa masë, të varfrit e tij do t'i ngij me bukë. Priftërinjtë e tij do t'i vesh me shpëtim, besnikët e tij do të brohorasin nga gëzimi. Atje do t'i rrit Davidit një pinjoll, e kam gati llambën për të vajosurin tim. Armiqtë e tij do t'i vesh me turp, por mbi kokë do t'i shkëlqejë kurora». Këngë shtegtimesh. E Davidit. Ja, sa mirë dhe këndshëm kur vëllezërit banojnë së bashku, porsi vaj i çmuar mbi kokë, që rrjedh mbi mjekër, mbi mjekrën e Aronit, që zbret deri te kindi i petkut të tij, porsi vesa e Hermonit, që bie mbi malet e Sionit, se atje e dërgoi Zoti bekimin, jetë në amshim. Këngë shtegtimesh. Bekojeni tani Zotin, të gjithë ju shërbëtorët e Zotit, ju që rrini tërë natën në shtëpinë e Zotit. Ngrijini duart drejt shenjtërores e bekojeni Zotin. Të bekoftë prej Sionit Zoti, ai që krijoi qiellin e tokën. Aleluja! Lavdëroni emrin e Zotit, lavdërojeni, o shërbëtorë të Zotit, ju që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë sonë. Lavdërojeni Zotin, se Zoti është i mirë, këndojini emrit të tij, se është i ëmbël. Zoti e ka zgjedhur Jakobin për vete, Izraelin si thesarin e tij të çmuar. Unë e di mirë se Zoti është i madh, se Zoti ynë është mbi gjithë perënditë. Zoti bën gjithçka do, në qiej e mbi tokë, nëpër dete e në çdo thellësi. Retë i ngre lart nga skajet e tokës, bën vetëtimat për shiun, erën nga drithnikët e tij e nxjerr. Ai i vrau të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve dhe të kafshëve. Shenja e mrekulli bëri te ti, o Egjipt, para faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij. Shfarosi kombe të shumtë, vrau mbretër të fuqishëm, Sihonin, mbretin e amoritëve, dhe Ogun, mbretin e Bashanit, gjithë mbretëritë e Kanaanit. Tokën e tyre e dha trashëgim, trashëgim Izraelit, popullit të vet. O Zot, emri yt mbetet përjetë, kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi. Zoti bën drejtësi për popullin e tij dhe me shërbëtorët e vet është i mëshirshëm. Idhujt e kombeve janë argjend e ar, vepër e dorës së njeriut. Kanë gojë, por nuk flasin, kanë sy, por nuk shikojnë, kanë veshë, por nuk dëgjojnë, e me gojë nuk marrin frymë. Ashtu qofshin edhe ata që i bëjnë, të gjithë sa kanë besim në ta. Bekoje Zotin, o shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin, o shtëpi e Aronit! Bekoje Zotin, o shtëpi e Levit, bekojeni Zotin, ju që druani Zotin! Bekuar qoftë Zoti prej Sionit, ai që banon në Jerusalem! Aleluja! Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Përlëvdoni Perëndinë e perëndive, se mirësia e tij mbetet përjetë. Përlëvdoni Zotin e zotërve, se mirësia e tij mbetet përjetë. Vetëm ai bën mrekulli të mëdha, se mirësia e tij mbetet përjetë. Me urti e krijoi qiellin, se mirësia e tij mbetet përjetë. Tokën e shtriu mbi ujëra, se mirësia e tij mbetet përjetë. Ai i krijoi ndriçuesit e mëdhenj, se mirësia e tij mbetet përjetë. Diellin që të sundojë ditën, se mirësia e tij mbetet përjetë. Hënën dhe yjet që të sundojnë natën, se mirësia e tij mbetet përjetë. Ai i vrau të parëlindurit e Egjiptit, se mirësia e tij mbetet përjetë. Ai e nxori Izraelin nga vendi i tyre, se mirësia e tij mbetet përjetë. Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, se mirësia e tij mbetet përjetë. Ai e ndau detin e Kuq më dysh, se mirësia e tij mbetet përjetë. Përmes tij e kaloi Izraelin, se mirësia e tij mbetet përjetë. Atje plandosi faraonin dhe ushtrinë e tij, se mirësia e tij mbetet përjetë. Popullin e vet e udhëhoqi nëpër shkretëtirë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Ai dërrmoi mbretër të mëdhenj, se mirësia e tij mbetet përjetë. Vrau mbretër të fuqishëm, se mirësia e tij mbetet përjetë. Sihonin, mbretin e amoritëve, se mirësia e tij mbetet përjetë. Ogun, mbretin e Bashanit, se mirësia e tij mbetet përjetë. Tokën e tyre e dha trashëgim, se mirësia e tij mbetet përjetë. Trashëgim Izraelit, shërbëtorit të vet, se mirësia e tij mbetet përjetë. U kujtua për ne kur ishim të poshtëruar, se mirësia e tij mbetet përjetë. Dhe na çliroi nga armiqtë tanë, se mirësia e tij mbetet përjetë. Ai i jep ushqim çdo gjallese, se mirësia e tij mbetet përjetë. Përlëvdoni Perëndinë e qiejve, se mirësia e tij mbetet përjetë. Brigjeve të lumenjve të Babilonisë, atje uleshim e qanim, Sionin tek kujtonim. Nëpër shelgje në mes të saj, aty i varëm qestet tona. Atje robëruesit na kërkuan këngë, shtypësit këngë hareje: «Na këndoni këngët e Sionit». Por si t'i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj? M'u thaftë dora e djathtë, në të harrofsha, o Jerusalem. M'u kaptë gjuha pas qiellze, në mos të kujtofsha më, o Jerusalem, në mos të mbajtsha si gëzimin më të madh. Mbaji mend, o Zot, bijtë e Edomit, ata që ditën e zezë të Jerusalemit thoshin: «Rrënojeni, me themele rrënojeni!». Dhe ti, o bijë e Babilonisë, ke për t'u shkatërruar, ndaj lum kush do të marrë shpagim për ato që na ke bërë. Lum ai që do t'i kapë foshnjat e tua e do t'i përplasë pas shkëmbit. Psalm i Davidit. Do të të falënderoj me gjithë zemër, para hyjnive për ty do të këndoj. Do të përkulem drejt tempullit tënd të shenjtë dhe emrin tënd do të përlëvdoj për mirësinë e besnikërinë tënde, sepse emrin tënd dhe fjalën tënde i ke lartësuar mbi gjithçka. Ditën që të thirra, më dëgjove, shpirtit tim i dhe guxim e fuqi. Gjithë mbretërit e tokës do të të përlëvdojnë, o Zot, se i kanë dëgjuar fjalët e gojës sate. Do të këndojnë për udhët e Zotit: «E madhe është lavdia e Zotit!». I lartë është Zoti, por të përulurin e shikon, ndërsa kryelartin e dallon nga larg. Edhe po të kaloj përmes fatkeqësisë, ti do të më mbash gjallë kundër zemërimit të armiqve, do ta shtrish dorën dhe e djathta jote do të më shpëtojë. Zoti do të përmbushë gjithçka për mua. O Zot, mirësia jote mbetet në amshim, nga veprat e duarve të tua mos hiq dorë! Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. O Zot, ti më ke shqyrtuar e më njeh. Ti e di kur ulem e kur ngrihem, mendimet nga larg m'i kupton. Më vëzhgon kur eci e kur pushoj, gjithë udhët e mia mirë i njeh. Pa folur goja ime, ti, o Zot, di çdo gjë. Para meje e mbrapa meje je ti, dora jote qëndron mbi mua. Mahnitëse është dija jote për mua, tepër e lartë e unë s'e arrij. Ku të shkoj larg shpirtit tënd? Ku të iki larg pranisë tënde? Po të ngjitem në qiell, atje je ti, po të dergjem në skëterrë, ti je aty. Po të merrja krahët e mëngjesit e përtej detit të shkoja, edhe atje do të më udhëhiqte dora jote, do të më mbante e djathta jote. Edhe po të thosha: «Më mbuloftë errësira e drita përreth meje u errësoftë», errësira për ty nuk është errësirë e nata ndriçon si dita; për ty errësira dhe drita janë njëlloj. Ti e krijove brendinë time, më ende që në bark të nënës. Të lavdëroj se mrekullisht më krijove, të mahnitshme janë veprat e tua, mirë e di shpirti im. Kockat e mia nuk ishin të fshehta për ty, kur krijohesha në fshehtësi, kur merrja trajtë në thellësitë e tokës. Kur isha pa trajtë, më panë sytë e tu. Të gjitha ditët që caktove, në librin tënd ishin shkruar, pa u krijuar asnjë prej tyre. Sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është numri i tyre! Po t'i numëroj, janë më shumë se rëra. Zgjohem e jam ende me ty. Sikur t'i zhbije të paudhët, o Perëndi! Shporruni prej meje, o njerëz gjakatarë. Ata flasin kundër teje me dredhi, më kot ngrihen armiqtë e tu. Si të mos i urrej ata që të urrejnë, o Zot, si të mos i përbuz kundërshtarët e tu? Ndiej vetëm urrejtje për ta, i kam bërë armiq. Shqyrtomë, o Perëndi, dhe njihe zemrën time, vëmë në provë dhe njihi brengat e mia. Shiko në shkoj udhës së ligë dhe në udhën e përjetësisë më pri. Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Çliromë, o Zot, prej njeriut të lig, prej njeriut të dhunshëm shpëtomë. Të këqija shestojnë në zemër, tërë ditën sendërgjojnë luftra. E mprehin gjuhën porsi gjarpri, nën buzë kanë helm nepërke. Ruamë, o Zot, prej duarve të të paudhit, prej njeriut të dhunshëm shpëtomë, se po shestojnë të më pengojnë këmbët. Kryelartët kanë fshehur lakun kundër meje, me litarë e kanë lidhur rrjetën, përgjatë udhës më kanë ngritur kurthe. I thashë Zotit: «Ti je Perëndia im». Dëgjoje, o Zot, zërin e përgjërimit tim. O Zot, Zoti im, fuqia e shpëtimit tim, ti ma mbrojte kokën ditën e betejës. Mos i plotëso, o Zot, dëshirat e të paudhit, sendërgjimet e tij mos i përmbush, që të mos ngrejë krye. Atyre që më rrethojnë, u rëntë kokës ligësia e buzëve të veta. Rënçin mbi ta thëngjij të ndezur, u plandosshin në gropë e më mos dalshin. Njeriu shpifës mos zëntë rrënjë mbi tokë, njeriun e dhunshëm e ndjektë pas fatkeqësia. E di se Zoti do ta mbrojë çështjen e të mjerit dhe do t'i japë drejtësi skamnorit. Atëherë të drejtët do të përlëvdojnë emrin tënd, besnikët do të banojnë në praninë tënde. Psalm i Davidit. O Zot, ty të thërras, nxito të vish tek unë, vëri vesh zërit tim kur të thërras. Ardhtë lutja ime si temjan para teje, ngritja e duarve të mia si fli e mbrëmjes. Vëri rojë gojës sime, o Zot, ruaj derën e buzëve të mia. Mos e prir zemrën time për gjëra të këqija, që të mos merret me vepra të liga bashkë me njerëz që bëjnë paudhësi, e të mos ha nga gjellët e tyre të shijshme. Le të më ndëshkojë i drejti, se është mirë, le të më qortojë, se është vaj i çmuar, koka ime mos e hedhtë poshtë! Mes ligësive të tyre nuk do të reshtë lutja ime. Kur gjyqtarët e tyre të jenë hedhur nga shkëmbi, do ta kuptojnë sa të ëmbla ishin fjalët e mia. Ashtu si toka që lërohet e thërrmohet, ashtu janë shpërndarë eshtrat tona buzë skëterrës. Por, unë te ti i kam sytë, o Zot, Zoti im, te ti kam gjetur strehë, mos e lër shpirtin tim të humbasë. Ruajmë prej kurthit që më kanë ngritur dhe prej grackave të keqbërësve. Në rrjetat e tyre rënçin vetë të paudhët, por unë do të kaloj përtej. Himn i Davidit. Lutje që bëri kur ishte në shpellë. Me zërin tim i thërras Zotit, me zërin tim i përgjërohem Zotit. Para tij do ta nxjerr rënkimin tim, hidhërimin tim para tij do ta rrëfej. Kur më meket shpirti, ti e njeh mirë udhën time. Udhës ku po kaloj, më kanë ngritur kurth. Hedh sytë djathtas e vështroj, nuk ka asnjë të njohur, nuk ka asnjë strehim për mua, askush nuk kujdeset për jetën time. Atëherë të thirra ty, o Zot, e thashë: «Ti je strehimi im, ti je trashëgimia ime në tokën e të gjallëve». Dëgjoje mirë kujën time, se shumë jam poshtëruar, shpëtomë prej atyre që më përndjekin, se janë më të fortë se unë. Nxirrmë prej burgut, që ta përlëvdoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen rreth meje, se ti do të më mbushësh me të mira. Psalm i Davidit. O Zot, dëgjoje lutjen time, vëri vesh përgjërimit tim, ti që je besnik, përgjigjmu, ti që je i drejtë. Mos bëj gjyq me shërbëtorin tënd, se asnjë i gjallë nuk del i drejtë para teje. Po më ndjek pas armiku, jetën ma ka hedhur përdhe. Më ka dëbuar në skuta të errëta, porsi të vdekurit e kahershëm. Ndaj po më zihet fryma, përbrenda po më dridhet zemra. Më kujtohen ditët e qëmoçme, mendoj për gjithë veprat e tua, sjell ndër mend punët e duarve të tua. I kam shtrirë duart drejt teje, shpirti im ka etje për ty, si toka e thatë. Përgjigjmu shpejt, o Zot, se mbeta pa frymë. Mos e fshih fytyrën prej meje, që të mos bëhem si ata që zbresin në varr. Shpallmë mirësinë tënde që në mëngjes, se te ti kam besim. Tregomë udhën ku duhet të eci, se drejt teje e lartësoj shpirtin tim. Shpëtomë nga armiqtë e mi, o Zot, se te ti kam kërkuar strehë. Mësomë të bëj vullnetin tënd, se ti je Perëndia im. Shpirti yt i mirë do të më prijë në vend të sheshtë. Jepmë sërish jetë, o Zot, për hir të emrit tënd, nxirrmë nga hidhërimi, ti që je i drejtë. Shfarosi armiqtë e mi, ti që je i mirë, shkatërroji të gjithë kundërshtarët e mi, se unë jam shërbëtori yt. Psalm i Davidit. Bekuar qoftë Zoti, shkëmbi im, që m'i mëson duart për luftë e gishtërinjtë për betejë, mirësia ime dhe fortesa ime, streha ime dhe çlirimtari im, mburoja ku gjej strehë, ai që ma vë popullin nën sundim. O Zot, ç'është njeriu që të kujdesesh për të, apo biri i njeriut, që të mendosh për të? Njeriu është si fryma, ditët e tij si hija që kalon. O Zot, përkuli qiejt e tu e zbrit, preki malet, që të nxjerrin tym. Dërgo rrufetë e shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe shpartalloji. Shtrije dorën tënde nga lart, çliromë e shpëtomë prej ujërave të rrëmbyer, prej dorës së të huajve. Goja e tyre thotë veç gënjeshtra, e djathta e tyre betohet për mashtrime. O Perëndi, do të të këndoj një këngë të re, për ty do t'i bie harpës me dhjetë tela, për ty, që i jep fitoren mbretërve, që e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd, prej shpatës mizore. Çliromë e shpëtomë prej dorës së të huajve, se goja e tyre thotë veç gënjeshtra, e djathta e tyre betohet për mashtrime. Qofshin bijtë tanë si pemët, që rriten mirë që në rini, e bijat tona si shtyllat e këndit, të gdhendura për të stolisur ndërtesën. Drithnikët tanë qofshin plot, të mbushur me gjithfarë të mirash, bagëtitë tona u shtofshin me mijëra, me dhjetëra mijëra në arat tona, gjedhët tanë qofshin të majmë! Mos pastë çarje muresh e as arrati, mos pastë gjëmë nëpër rrugët tona. Lum ai popull që i ka këto të mira! Lum ai popull që ka për Perëndi Zotin! Psalm lavdërimi, i Davidit. Do të të lartësoj, o Perëndi, Mbreti im, do ta bekoj emrin tënd përjetë e në amshim. Çdo ditë do të të bekoj, emrin tënd do ta lavdëroj përjetë e në amshim. I madh është Zoti e fort i lavdërueshëm, madhështia e tij e pashqyrtueshme. Breznia breznisë do t'ia lëvdojë veprat e tua, do t'i shpallë mrekullitë e tua. Shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe veprat e tua të mrekullueshme do të përsiatë. Do të flasin për fuqinë e bëmave të tua, e unë, do të kumtoj madhështinë tënde. Do të përhapin kujtimin e mirësisë sate të madhe, do të brohorasin për drejtësinë tënde. I mëshirshëm e i dhembshur është Zoti, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi. I mirë është Zoti me të gjithë, i dhembshur me gjithë krijesat e tij. Gjithë veprat e tua do të të përlëvdojnë, o Zot, besnikët e tu do të të bekojnë. Do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate, do të rrëfejnë për fuqinë tënde. Do t'u shpallin bijve të njerëzve bëmat e tua dhe lavdinë e madhështisë së mbretërisë sate. Mbretëria jote është mbretëri e amshuar, pushteti yt është brez pas brezi. Zoti i përkrah tërë ata që pengohen e i ngre tërë të kërrusurit. Të gjithë i kanë sytë nga ti e presin, që t'u japësh ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën dhe çdo qenieje të gjallë ia plotëson dëshirën. I drejtë është Zoti në gjithë udhët e tij, besnik në të gjitha veprat e tij. Zoti është pranë të gjithë atyre që e thërrasin, të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi. Ua plotëson dëshirën atyre që e druajnë, ua dëgjon përgjërimin e i shpëton. Zoti i mbron të gjithë ata që e duan, ndërsa tërë të paudhët do t'i shkatërrojë. Goja ime do të shpallë lavdërim për Zotin, çdo gjallesë do të bekojë emrin e tij të shenjtë, përjetë e në amshim. Aleluja! Lavdëro Zotin, o shpirti im! Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën, do t'i këndoj Perëndisë tim derisa të jem gjallë. Mos kini besim te prijësit, apo te ndonjë bir njeriu, prej të cilit s'vjen shpëtim. Se, kur jep shpirt, kthehet në dhe, atë ditë marrin fund synimet e tij. Lum ai që ka për ndihmë Perëndinë e Jakobit, që e ka shpresën te Zoti, Perëndia i tij. Ai krijoi qiellin e tokën, detin dhe gjithçka në to, ai mbetet besnik përjetë. Drejtësi u jep të shtypurve, ushqim u jep të uriturve, Zoti çliron të robëruarit. Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti i ngre të kërrusurit, Zoti i do të drejtët. Zoti i mbron të ardhurit, përkrah jetimët e të vejat dhe mëkatarëve ua pështjellon udhën. Zoti do të mbretërojë përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja! Aleluja. Është mirë t'i këndojmë himne Perëndisë tonë, është e këndshme dhe e hijshme ta lavdërojmë. Është Zoti që e ndërton sërish Jerusalemin dhe të mërguarit e Izraelit i mbledh tok. Ai i shëron zemërthyerit dhe plagët e tyre i lidh. Numrin e yjeve ai e njeh, i thërret të gjithë me emër. I madh është Zoti ynë, e madhe fuqia e tij, e pakufishme mençuria e tij. Zoti i lartëson të mjerët, ndërsa të paudhët i rrëzon përdhe. Këndojini Zotit me falënderim, këndojini himne me harpë Perëndisë tonë! Ai e mbulon qiellin me re, ai i përgatit shiun tokës, ai bën të mbijë bari maleve. Ai ua jep ushqimin bagëtive dhe zogjve të korbit, kur krakëllijnë. Fuqinë e kalit nuk e vlerëson e as kënaqet me pulpat e trimit. Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, ata që shpresojnë në mirësinë e tij. Përlëvdoje Zotin, o Jerusalem, lavdëroje Perëndinë tënd, o Sion! Se shulat e portave të tua i forcoi, bijtë e tu i bekoi në gjirin tënd. Ai i ruan trojet e tua në paqe, ai të ngin me grurin më të mirë. Urdhër ai dërgon mbi tokë, fjala e tij përhapet me shpejtësi. Borën e hedh porsi lesh, brymën e derdh porsi hi. Breshrin e lëshon si thërrime, kush i bën ballë të ftohtit të tij? Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin, lëshon erën dhe ujërat rrjedhin. Fjalën e tij ia kumton Jakobit, rregullat dhe vendimet e tij, Izraelit. Nuk veproi kështu me asnjë komb dhe vendimet e tij ata nuk i njohin. Aleluja! Aleluja. Lavdëroni Zotin prej qiejve, lavdërojeni në lartësi. Lavdërojeni të gjithë ju, engjëjt e tij, lavdërojeni të gjitha ju, ushtritë e tij. Lavdërojeni, o diell dhe hënë, lavdërojeni të gjithë ju, yje vezullues. Lavdërojeni, o qiejt e qiejve, e ju ujërat përmbi qiej. Le të lavdërojnë emrin e Zotit, se ai urdhëroi e ato u krijuan. U caktoi vendin përjetë e në amshim, u dha ligje që nuk do t'i shkelin. Lavdëroni Zotin nga toka, ju përbindëshat e detit e gjithë humnerat, zjarri e breshri, dëbora e mjegulla, era e stuhishme, që zbaton fjalën e tij, malet e mbarë kodrat, pemët frutore e të gjithë cedrat, egërsirat e mbarë bagëtitë, zvarranikët e shpendët me flatra, mbretërit e tokës e mbarë popujt, princat e të gjithë sunduesit e tokës, djemtë e vajzat, pleqtë e të rinjtë. Le të lavdërojnë emrin e Zotit, se vetëm emri i tij është i madhërishëm, madhështia e tij tejkalon tokë e qiell. Ai i jep forcë popullit të vet, lavdi të gjithë besnikëve të tij, bijve të Izraelit, popullit që ka pranë. Aleluja! Këndojini Zotit këngë të re, këndojini lavdi në kuvendin e besnikëve. Le të ngazëllejë Izraeli për krijuesin e tij, bijtë e Sionit le të gëzojnë për mbretin e tyre. Le ta lavdërojnë emrin e tij me valle, le t'i këndojnë atij me dajre e me lirë. Zoti kënaqet me popullin e vet, të përulurit i kurorëzon me shpëtim. Le të ngazëllejnë besnikët me lavdi, le të brohorasin nga shtretërit e tyre. Lavdet për Perëndinë qofshin në gojën e tyre, shpatat me dy tehe në dorën e tyre. Për të marrë shpagim nga kombet, për të ndëshkuar popujt. Për t'i lidhur mbretërit e tyre me vargonj, fisnikët e tyre me pranga hekuri. Për të zbatuar kundër tyre vendimin e gjykimit, ky është nder për të gjithë besnikët e tij. Aleluja! Lavdërojeni Perëndinë në shenjtëroren e tij, lavdërojeni në kubenë qiellore të fuqisë së tij. Lavdërojeni për veprat e tij të fuqishme, lavdërojeni për madhështinë e tij të pafund. Lavdërojeni me tingujt e bririt, lavdërojeni me harpë e me lirë. Lavdërojeni me dajre e me valle, lavdërojeni me lahutë e me fyell. Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, lavdërojeni me cimbale kumbuese. Gjithçka që merr frymë le të lavdërojë Zotin. Aleluja! Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit: për të njohur urtinë e rregullin, për të nxënë fjalët e mençura, për të pranuar qortimet e mprehta, drejtësinë, gjykimin e çiltërsinë, për t'u dhënë thjeshtakëve zgjuarsinë, të rinjve njohjen e shestimin. Le të dëgjojë i urti e t'i shtohet dija, ndërsa i kuptueshmi le të marrë udhëzime, për të kuptuar fjalët e urta dhe enigmat, thëniet e të diturve e gjëegjëzat e tyre. Droja e Zotit është fillimi i njohjes, por të marrët e përçmojnë dijen e rregullin. Dëgjo, biri im, qortimin e atit tënd e mos lër pas dore udhëzimet e nënës sate, se si kurorë e hijshme mbi kokë do të të rrinë e porsi varëse rreth qafës tënde. Biri im, nëse mëkatarët të ngucin, mos u vër vesh. Po të thonë: «Eja me ne! Të zëmë pritë për gjak, t'i ngremë kurth të pafajshmit, më kot; t'i përpijmë të gjallë, si skëterra, njëcopësh, si ata që zbresin në varr, të përlajmë çdo gjë të çmueshme e t'i mbushim shtëpitë me plaçkë; hidh short me ne e do të mbajmë një qese për ne të gjithë», ti, biri im, mos shko udhës së tyre, të mos shkelë këmba jote në atë shteg, se këmbët e tyre turren drejt së keqes e nxitojnë për të derdhur gjak. Para syve të shpendëve më kot hidhet rrjeta, por këta zënë pritë kundër gjakut të vet, ngrenë kurth kundër vetes. I tillë është fati i zhvatësit: i merr jetën të zotit të vet. Urtia thërret udhëve, ngre zërin shesheve, njofton në krye të rrugëve të zhurmshme e në dyert e qyteteve jep kumte: «Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni papjekurinë? Deri kur tallësit do të kënaqen së talluri e të marrët do të urrejnë njohjen? Kthehuni e vëruni vesh qortimeve të mia! Ja, po hap zemrën para jush e po ju bëj të ditura fjalët e mia: ju thirra e ju më përzutë, ju shtriva dorën e askush s'më vuri re. I shpërfillët tërë këshillat e mia e nuk i deshët qortimet e mia. Edhe unë do të qeshem me kobet tuaja, do të tallem kur t'ju zërë frika, kur tmerri të përplaset mbi ju si stuhi e kobi si thëllim, kur të jeni në ngushticë e në ankth. Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem, do të më kërkojnë me ngulm, por nuk do të më gjejnë. Ngaqë ata e urryen njohjen e nuk zgjodhën drojën e Zotit, nuk ndoqën as këshillën time dhe i përçmuan të gjitha qortimet e mia, ata do të hanë frytet e sjelljes së tyre e do të ngopen me këshillat e veta. Bjerrja e thjeshtakëve do t'i rrënojë e mendjelehtësia e të marrëve do t'i shkatërrojë, por kush më dëgjon mua do të jetojë i qetë e do të prehet pa frikë nga e keqja». «Biri im, nëse i mirëpret fjalët e mia dhe ruan brenda teje urdhërimet e mia, duke i vënë vesh urtisë e duke e prirë zemrën drejt mençurisë, nëse do t'i thërrasësh mendjes e do t'i bësh zë mençurisë, nëse e kërkon atë si argjendin dhe e gjurmon si thesarin, atëherë do të kuptosh drojën e Zotit e do të gjesh dijen e Perëndisë, se Zoti dhuron urtinë e prej gojës së tij del dija e mençuria. Ai i jep mbrothësi të drejtit, është mburojë për të ndershmin, mbron shtigjet e drejtësisë e bën rojë mbi udhën e besëtarëve të vet. Atëherë do të kuptosh drejtësinë e gjykimin, çiltërsinë e çdo udhë të mbarë. Do të të hyjë në zemër dija e njohja do të ta kënaqë shpirtin. Përsiatja do të të ruajë e mençuria do të të mbrojë, për të të shpëtuar nga udha e keqe, nga njerëzit që flasin prapësi, nga ata që lënë shtigjet e drejta për të ecur udhëve të errëta, që kënaqen me të keqen e ngazëllehen me prapësi të liga. Shtigjet e tyre janë të shtrembra, udhët e tyre me dredha. Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj, nga e panjohura që të flet ëmbël, që braktis të dashurin e rinisë dhe harron besëlidhjen me Perëndinë e saj. Shtëpia e saj shpie drejt vdekjes e udhët e saj drejt hijeve. Ata që shkojnë me të as nuk kthehen më, as nuk gjejnë më shtegun e jetës. Prandaj, ti ec udhës së mbarë e mbaj shtigjet e të drejtëve, se të drejtët do ta banojnë tokën e të përsosurit do të mbeten në të. Të paudhët do të zhbihen nga faqja e dheut e të pabesët do të çrrënjosen». Biri im, mos i harro udhëzimet e mia e mbaj në zemër urdhërimet e mia, se ditë të shumta, vite jete e paqe do të të japin. Mos të lëntë mirësia, as besnikëria, ndaj vari rreth qafës e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate, se do të gjesh përkrahje e pëlqim para Perëndisë e para njerëzve. Beso në Zotin me gjithë zemër e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde. Mendo për të në të gjitha udhët e tua e ai do të t'i drejtojë shtigjet. Mos të të duket vetja i urtë, por druaj Zotin e largohu nga e keqja. Kjo do të jetë shërim për trupin tënd e freskim për eshtrat e tua. Ndero Zotin me tërë begatinë tënde, me frytet e para të çdo të vjele, se drithnikët e tu do të mbushen plot e vozat e tua do të pëlcasin nga vera. Biri im, mos e shpërfill mësimin e Zotit e mos u bezdis nga qortimi i tij, se Zoti e ndreq atë që e do, porsi një atë birin e dashur. Lum njeriu që e ka gjetur urtinë, lum ai që ka kapur arsyen, është më e vlefshme se argjendi, më e dobishme se ari, më e çmueshme se margaritarët, e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi. Në të djathtë mban jetëgjatësinë, në të majtë pasurinë e nderin. Udhët e saj janë të këndshme, tërë shtigjet e saj të paqme. Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës; lum ai që kapet pas saj. Zoti e themeloi tokën me urti e me mençuri i nguliti qiejt. Me dijen e tij shpërthyen humnerat e retë pikuan vesën. Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra, ruaj mençurinë e maturinë, se do të jenë jetë për ty, stoli rreth qafës sate. Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate e këmba jote nuk do të pengohet. Kur të biesh në shtrat, s'do të trembesh, do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël. Mos ki frikë nga tmerri i beftë a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë, se Zotin pranë do ta kesh e do të ta ruajë këmbën nga leqet. Po të jetë në dorën tënde, mos ia moho të mirën atij që i takon. Po të kesh, mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t'jap». Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd që me ty banon i qetë. Mos u grind kot me asnjeri nëse nuk të ka bërë keq. Mos e lakmo njeriun e dhunshëm e mos ndiq udhët e tij, se Zoti ka neveri për dinakun, por me të drejtin është i dashur. Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i Zotit, por ai bekon banesën e të drejtit. Me tallësit ai tallet, por të përulurit i përkrah. Të urtët do të trashëgojnë nderin, kurse të marrët turpin. Dëgjoni, o bij, mësimin e atit, kini mendjen, që të njihni zgjuarsinë, se unë ju jap udhëzime të mira; mos e shpërfillni ligjin tim. Kur për tim atë isha fëmijë e për time më i butë e i dashur, ai më mësonte e më thoshte: «Mblidhi fjalët e mia në zemrën tënde, mbaj urdhërimet e mia e do të jetosh. Rrok urtinë, kap zgjuarsinë, mos harro fjalët e gojës sime e mos i shmang. Mos e lër urtinë e ajo të ruan, duaje e ajo të mbron. Fillimi i urtisë: rrok urtinë! Jep çka ke arritur e kap zgjuarsinë. Vlerësoje e ajo të lartëson, përqafoje e ajo të nderon. Do të të vërë në kokë një rreth hijeshie, me kurorë bukurie do të të stolisë». Dëgjo, biri im, e nxëri fjalët e mia, që të shumohen vitet e jetës sate. Po të tregoj udhën e urtisë, po të prij shtigjeve të drejtësisë. Nuk do të të ngatërrohen hapat kur të ecësh e, po të vraposh, nuk do të pengohesh. Ndiq rregullin e mos e lër, zbatoje, se është jeta jote. Mos i hyr udhës së të paudhëve e mos ec rrugës së të prapëve. Shmange e mos kalo andej, dredho e ik tutje, se ata s'flenë pa bërë të keqen, u ikën gjumi po s'dëmtuan kënd, se ata hanë bukën e prapësisë dhe pinë verën e dhunës. Udha e të drejtëve është si drita e agimit që shkon duke shndritur gjer në mesditë. Por udha e të prapëve është si terri i natës, ata s'e dinë ku venë e pengohen. Biri im, ki mendjen te fjalët e mia, merr vesh çfarë të kam thënë: mos i hiq sysh, por ruaji mu në zemër, se janë jetë për kë i gjen e shërim për tërë trupin e tij. Ruaj zemrën tënde mbi gjithçka, se jeta prej saj buron. Mos u bëj gojëçartur e as buzëprapë. Sytë e tu të shohin përballë, drejt përpara ta kesh shikimin. Kujdesu për udhën ku vë këmbën e do të jenë të sigurta shtigjet e tua. Mos u luhat as djathtas, as majtas, shmangu nga e keqja. Biri im, vërja mendjen urtisë sime vëri vesh arsyetimit tim, që të ruash gjykimin e buzët e tua t'i përmbahen njohjes. Buzët e së huajës pikojnë mjaltë, më e butë se vaji është gojë e saj, porse në fund e hidhur si pelini, e mprehtë si shpata me dy tehe është. Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejt e në skëterrë, shpërfillshëm për udhën e jetës enden pa ditur në ç'shteg. Ndaj dëgjomëni, o bij, e mos ikni nga fjalët e gojës sime: larg saj mbaje udhën tënde e mos iu avit pragut të shtëpisë së saj, që të mos ua dorëzosh të tjerëve nderin tënd e ndonjë të pashpirti vitet e tua; të mos i shërbejë forca jote të huajit, e mundi yt shtëpisë së ardhacakut; që të mos vajtosh mbi fatin tënd, e, ndërsa merr fund mishi e trupi yt, të thuash: «Si e urreva rregullin, si e përbuzi zemra ime qortimin? Si s'e dëgjova zërin e udhërrëfyesit tim? Si s'u vura vesh mësuesve të mi? Për pak u gjeta në të keqen e madhe përpara bashkësisë e kuvendit». Pi ujë prej sternës sate, atë që gurron nga pusi yt, që të mos rrjedhin përjashta burimet e tua e rrëketë e ujit nëpër sheshe, por të jenë për ty, vetëm për ty e jo për të huajt bashkë me ty. Qoftë bekuar gurra jote! Gëzohu me gruan e rinisë sate: drenushë e dashur, sorkadhe e hijshme. Ndër gjinjtë e saj gjetsh kënaqësi e dashuri' e saj të dehtë përherë. Përse, o biri im, joshesh nga e panjohura e bie në krahët e së huajës? Udhët e njeriut janë para syve të Zotit, ai i shqyrton të gjitha shtigjet e tij. Të prapin e zë prapësia e vet, e zë laku i mëkateve të veta. Ai do të vdesë nga mosbindja e vet, do të humbasë nga marrëzia e vet. Biri im, nëse ke hyrë dorëzanë për mikun tënd, nëse ke dhënë dorën për një të huaj, fjalët e gojës sate të kanë zënë në grackë e je i kapur për fjale. Atëherë, biri im, ja si do të bësh për t'u çliruar, pasi ke rënë në dorë të mikut tënd: shko, përulu para tij e prishja qetësinë. Mos vër gjumë në sy, as mos u jep prehje qepallave të tua. Çlirohu porsi sorkadhja nga laku, si zogu nga dora e gjahtarit. Shko, o përtac, e shih milingonën, shiko si vepron ajo e bëhu i urtë. Ajo nuk ka as epror, as mbikëqyrës, as pronar, por verës bën gati ushqimin e vet e, kur vijnë të korrat, mbledh hajen e vet. Deri kur, o përtac, do të rrish shtrirë? Kur do të çohesh nga gjumi? Pak gjumë e pak dremitje, pak duarkryq për të pushuar, e ashtu vjen skamja, si endacak, e varfëria si një shqytar. Njeriu i pavlerë e burri i prapë endet gojëçartur, picërron sytë, përplas këmbët e flet me gishta. Në zemër mbart ligësi, sheston përherë të keqen e mbjell ndasi. Ndaj befas do e zërë e zeza, papandehur do të bjerë pa gjetur shërim. Gjashtë gjëra urren Zoti, madje shtatë i neveriten: sytë mburravecë, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjakun e pafaj, zemra që sheston synime të liga, këmbët që turren kah e keqja, dëshmitari i rremë që pjell gënjeshtra e kush mbjell ndasi ndër vëllezër. Zbatoje, o biri im, urdhërimin e atit tënd, e mos e shpërfill mësimin e nënës sate, ngulite përgjithmonë në zemër e vare rreth qafës, se, kur ecën, të drejton, kur pushon, të ruan e kur zgjohesh, të flet. Urdhërimi është llambë e udhëzimi dritë. Parimet qortuese janë udha e jetës, se të ruajnë nga gruaja e përdalë, nga fjalët ëmbëlake të gruas së panjohur. Mos të të epet zemra prej bukurisë së saj e mos bjer pre e qepallave të saj, se gruaja lavire lyp veç një copë bukë, por gruaja e martuar të merr nderin e jetës. Po burri, a e mban dot zjarrin në gji, pa i djegur petkat? A ecën njeriu mbi prush pa iu përcëlluar këmbët? As ai që i qaset gruas së huaj, që e prek atë, nuk do t'i ikë ndëshkimit. Vjedhësi nuk poshtërohet po vodhi prej urisë, për të mbajtur shpirtin gjallë, por po u kap, do të kthejë shtatëfishin e do të japë krejt pasurinë e shtëpisë. Kush shkel kurorën, është i pamend, kush bën kështu, shkatërron jetën e vet. Marre e plagë do të mbledhë e turpi i tij nuk do të shlyhet, se xhelozia e burrit është e tërbuar, ai s'do të ketë mëshirë në ditën e hakmarrjes. Ai s'pajtohet me asnjë dëmshpërblim, nuk pranon asnjë mitëmarrje. Biri im, ruaji fjalët e mia e mbaj me vete urdhërimet e mia. Mbaji urdhërimet e mia e do të jetosh, mësimi im të jetë si ninëza e syrit tënd. Lidhi në gishtat e tu, shkruaji mbi rrasën e zemrës sate. Urtisë thuaji: «Ti je motra ime» e gjykimin quaje sivëlla, që të të ruajë nga gruaja e panjohur, nga e huaja fjalëpërkëdhelur. Duke parë përmes flegrash, prej dritares së shtëpisë sime, pashë ndër thjeshtakët, vërejta mes të rinjve, një djalosh mendjelehtë. Ai kaloi në një rruginë, pranë qoshes së një të atille, e u çapit drejt shtëpisë së saj, në mbrëmje, kur ngryset dita, në mug, kur bie nata. Ja, takohet me një grua veshur si lavire, me zemër dredharake; e hedhur, kryeneçe, që s'i zë këmba shtëpi, që herë në rrugë e herë në sheshe, në çdo qoshe në pritë rri. Ajo e zuri dhe e puthi, e i tha me shfytyrësi: «Kam kushtuar fli paqtimi, sot unë kushtet i kam plotësuar, prandaj të kam dalë para: të kërkova e të gjeta. Mbi divanin tim kam shtrirë basma lara-lara, beze nga Egjipti. Mbi shtrat hodha pikla mirre, aloe e kanellë. Eja ta pimë me fund kupën e dashnorëve, të dëfrejmë në dashuri deri në agim. Burri nuk është në shtëpi është nisur për udhë të largët, se ka marrë me vete qesen e parave. Kthehet në shtëpi me hënën e plotë». E mikloi me lajka shumë, e trullosi me joshjen e buzëve të saj. Dhe ai befas i shkon pas, si kau në thertore, si dreri i zënë në lak, derisa një shtizë t'ia shpojë mëlçinë; si një zog që rend në kurth, por ai nuk e di se luan me jetë. Ndaj, o bijtë e mi, dëgjomëni e vëruni vesh fjalëve që po them: mos të të zvargë zemra udhëve të saj, mos u sorollat shtigjeve të saj, se shumë të lënduar ajo ka gremisur e janë të panumërt theroret e saj. Shtëpia e saj është udhë skëterre, teposhtë, në qelitë e vdekjes. A nuk thërret vallë urtia? Po mençuria, a nuk e ngre zërin? Majë lartësive, përgjatë rrugës, në udhëkryqe, aty ajo zë vend. Pranë dyerve të hapura të qytezave, te hyrja e portaleve, aty ajo bëzan: «Ju, o njerëz, ju po ju thërras e zëri im u flet bijve të njerëzve. Kuptojeni, o të pamësuar, zgjuarsinë, e ju, o të marrë, thirrini mendjes. Dëgjoni, se do të them fjalë fisnikërie, çfarë del nga buzët e mia është drejtësi, se goja ime thotë të vërtetën e buzëve të mia u pështiret ligësia. Fjalët e gojës sime janë krejt të drejta e nuk gjendet në to dredhi a prapësi. Të drejta ato janë për kë arsyeton, të çiltra për atë që ka arritur njohjen. Kapuni pas parimit tim e jo pas parasë, se duhet zgjedhur njohja e jo ari. Urtia vlen më shumë se gurët e çmuar, është e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi. Unë, urtia, zotëroj zgjuarsinë, kam njohjen e jam e arsyeshme. Kush druan Zotin, e urren të keqen. Unë urrej krenarinë e mendjemadhësinë, udhët e këqija e gojën e ligë. Mua më përket këshillimi e mençuria, i imi është kuptimi, e imja forca. Falë meje mbretërit mbretërojnë e sunduesit ushtrojnë drejtësinë. Falë meje princat sundojnë e fisnikët mbarë gjykojnë me drejtësi. Unë i dua ata që më duan, e ata që më kërkojnë, më gjejnë. Me mua janë pasuria e nderi, të mirat e përhershme dhe drejtësia. Fryti im është më i mirë se ari, më i mirë se ar i kulluar. Më mirë begatia ime, se argjendi i zgjedhur. Unë eci udhës së drejtësisë, përmes shtigjeve të së drejtës, për t'i bërë, ata që më duan, trashëgimtarë të të mirave, e për të mbushur thesaret e tyre. Zoti më bëri fillimin e udhës së tij, pikënisjen e veprave të tij qëkur. Qëmoti kam qenë caktuar, që në krye të herës, para se toka të zinte fill. Kur ende s'kishte humnera, unë isha lindur. Kur s'kishte ende gurra me ujë të bollshëm, para se të ngriheshin malet e para se të ishin kodrat, unë isha lindur. Ende nuk e kishte krijuar tokën, as fushat, as të parin pluhur të botës. Kur i nguliti qiejt, unë isha aty. Kur skajoi humnerën, kur i ngjeshi retë atje lart, kur i forcoi gurrat e humbëtirës, kur u vuri cakun detit e ujërave, që të mos vërshojnë, kur hodhi themelet e tokës, unë isha pranë tij si kryemjeshtër. Isha ditë për ditë gëzimi i tij, dëfrehesha para tij përherë, duke luajtur me rruzullin e tokës e duke u ngazëlluar me bijtë e njerëzve. Prandaj, bijtë e mi, dëgjomëni: lum ata që ndjekin udhët e mia! Dëgjojeni porosinë, bëhuni të urtë e mos e shpërfillni. Lum njeriu që më dëgjon mua, që vëzhgon përditë dyert e mia e pret te pragjet e hyrjeve të mia. Kush më gjen mua, gjen jetën e fiton përkrahjen e Zotit, por kush mëkaton ndaj meje, lëndon veten. Të gjithë ata që më urrejnë mua, duan vdekjen». Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet, ia latoi shtatë shtyllat. Theri theroret, përzjeu verën e shtroi tryezën. Dërgoi shërbëtoret e veta dhe shpall nga majat e lartësive të qytezës: «Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!». Të pamendëve u thotë: «Ejani, hani bukën time e pini verën që kam përzier unë! Hiqni dorë nga marrëzitë e do të jetoni. Ecni udhës së arsyes!». Kush ndreq shpotitësin, turpërohet, kush hahet me të prapin, lëndohet. Mos e ndreq shpotitësin, që mos të të urrejë. Ndreqe të urtin e ai do të të dojë. Jepi këshilla të urtit e do të jetë edhe më i urtë. Mësoje të drejtin e do t'i shtohet mençuria. Fillimi i urtisë është droja e Zotit; njohja e të Shenjtit, kjo është mençuria. Falë meje do të shtohen ditët e tua e do të shumohen vitet e jetës sate. Në do të jesh i urtë, do të jesh për vete, Në do të jesh shpotitës, për vete do të jesh. Marrëzia është si një grua bujëmadhe, si një e pamend që nuk di asgjë. Rri ulur në derën e shtëpisë, në fron, lart mbi qytezë dhe u thërret kalimtarëve që ecin udhës së tyre të drejtë: «Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!». Të pamendëve ajo u thotë: «Uji i vjedhur është i ëmbël e buka e marrë tinëz është e shijshme». Ata s'e dinë se atje janë hijet dhe të ftuarit e saj janë thellë në skëterrë. Fjalët e urta të Solomonit. Biri i urtë e gëzon të atin; biri i marrë e trishton të ëmën. Thesaret e mbledhura me prapësi, nuk bëjnë dobi, ndërsa drejtësia çliron nga vdekja. Zoti s'e lë të drejtin të uritet, por dëshirimet e të prapëve i hedh poshtë. Dora e ngathët e varfëron punëtorin, dora e shkathët e pasuron. Kush mbledh në verë, është bir i urtisë, kush fle në të korra, është bir i turpërisë. Kryet e të mbarit është plot me bekime, por goja e të paudhëve ndryn dhunë. Kujtesa e të drejtit është bekim, por emri i të paudhëve do të shuhet. I urti i pranon urdhërimet, kurse gojëpërdali do të rrënohet. Kush jeton me përsosuri, jeton i sigurt, kush jeton me dredhi, do të zbulohet. Kush shkel syrin, sjell mundim, kurse gojëpërdali do të rrënohet. Goja e të drejtit është burim jete, goja e të paudhëve ndryn dhunë. Urrejtja nxit grindje, por dashuria mbulon çdo shkelje. Në buzët e të mençurit gjendet urtia, i pamendi do shkopin kurrizit. Të urtët grumbullojnë dije, por goja e të marrit afron rrënimin. Kështjella e të kamurit është kamja e tij, rrënimi i skamnorit është skamja e tij. Shpërblimi i të drejtit të çon në jetë, fitimi i të paudhit në mëkat. Kush mban rregullin është në udhën e jetës, por kush shpërfill qortimet, birret. Kush fsheh urrejtjen, gënjen me gojën e vet, kush përhap thashetheme, është i marrë. Kur flitet shumë, nuk shmangen gabimet, por kush mban gojën, vepron me mend. Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, zemra e të paudhëve vlen fare pak. Buzët e të drejtit ushqejnë shumë veta, por të marrët vdesin prej marrëzisë së vet. Bekimi i Zotit sjell begati e mundi s'i shton asgjë. I marri dëfrehet me të keqen, ndërsa i mençuri me urtinë. Të paudhin do ta gjejë çfarë ai druan, të drejtit do t'i plotësohet dëshira. Kur kalon stuhia, i paudhi s'është më, por i drejti qëndron në amshim. Si uthulla në gojë e si tymi në sy, ashtu është përtaci për ata që e punësojnë. Droja e Zotit i shton ditët e jetës, por vitet e të paudhit do të jenë të shkurtra. Shpresa e të drejtit sjell gëzim, por shpresa e të paudhit do të fishket. Udha e Zotit është streha e të përsosurve, por keqbërësit do të rrënohen. I drejti nuk do të trandet kurrë, por të paudhët nuk do të rrojnë mbi dhe. Nga goja e të drejtit buron urtia, por gjuha e përdalë do të këputet. Buzët e të drejtit dinë çfarë është e hijshme, por goja e të paudhëve qet ligësi. Peshorja e rreme i neveritet Zotit, por peshimi i saktë i pëlqen. Me mendjemadhësinë vjen edhe çnderimi, urtia është me të përulurit. Të drejtët i udhëheq përsosja e tyre, mashtruesit i rrënon dredhia e vet. Në ditën e zemërimit s'duhet gjë pasuria, por drejtësia, ajo çliron nga vdekja. Të përsosurve ua drejton udhën drejtësia e tyre, por i paudhi bie në paudhësinë e vet. Të drejtët i çliron drejtësia e tyre, por mashtruesit bien pre e dëshirimit të vet. Kur vdes njeriu i paudhë, i shuhet edhe shpresa, edhe pritja për t'u kamur. I drejti çlirohet nga angështia e i paudhi bie në gjendjen e tij. Me gojën e vet i pafeu e rrënon të afërtin, por të drejtët çlirohen falë dijes. Qyteti gëzohet kur të drejtët begatohen dhe brohoret kur marrin fund të paudhët. Me bekimin e të drejtëve lartohet qyteti, por nga goja e të paudhëve rrënohet. Përçmimi i të afërtit është punë të marrësh, njeriu i arsyeshëm mban gojën. Shpifësi endet duke treguar të fshehtat, por një shpirt i besueshëm e mbulon lajmin. Një popull pa udhëheqje rrëzohet, fitorja arrihet falë këshilltarëve të shumtë. Kush hyn dorëzanë për një të huaj do ta pësojë, por kush e urren dorëzaninë është i sigurt. Gruaja e hijshme ngjall nderim. Të dhunshmit përlajnë pasuri. Kush është i njerëzishëm, i bën mirë vetes, kush është mizor, edhe trupin e vet e sfilit. Kush bën të keqen, merr një pagë të rreme, por, kush mbjell drejtësinë, me të vërtetë shpërblehet. Drejtësia e vërtetë është jetë, por, kush ndjek të keqen, gjen vdekjen. Kush është zemërkeq, i neveritet Zotit, por ai kënaqet me kë sillet drejt. I ligu vërtet nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të jetojnë. Si unaza e artë në hundën e një derri, ashtu është bukuria në gruan e pamend. Të drejtët dëshirojnë vetëm mirësinë, të paudhët zemërimin. Dikush jep e pasurohet. Një tjetër mban gjënë e huaj, por varfërohet. Shpirti bujar do të begatohet, kush i jep ujë dikujt, edhe atij do t'i jepet. Populli mallkon kë mban për vete grurin, por bekuar ai që e shet. Kush dëshiron të mirën, gjen përkrahje, kush gjurmon të keqen, e keqja do ta gjejë. Kush mbështetet në kamjen e vet, do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe. Kush trazon shtëpinë e vet, trashëgon erë. I marri do t'i shërbejë të urtit. Fryti i të drejtit është pemë jete, i urti i bën për vete njerëzit. Ja, i drejti shpërblehet mbi dhe, aq më tepër i paudhi e mëkatari. Kush do rregullin, do dijen, por kush e urren qortimin, çnjerëzohet. Kush është i mirë ka përkrahjen e Zotit, ndërsa njeriun dinak e dënon. Askush nuk zë rrënjë me prapësi, por rrënja e të drejtëve nuk lëviz. Një grua zonjë është kurorë për të shoqin, por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij. Të drejtët mendojnë drejtësinë, të paudhët këshillojnë mashtrimin. Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare, por të drejtët do t'i çlirojë goja e vet. Të paudhët bien e s'janë më, por shtëpia e të drejtëve qëndron. Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij, por mendjeçarturit do të përbuzen. Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor, sesa i mburrur, por i pangrënë. I drejti kujdeset për bagëtitë e veta, por ndjenjat e të paudhëve janë mizore. Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë, kush rend pas kotësive është i pamend. Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish, rrënja e të drejtëve lulëzon. Buzët e përdala janë kurthi i të ligut, por i drejti do të shpëtojë nga ankthi. Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja, secili shpërblehet sipas veprave që bën. I marri kujton se sillet drejt, por kush dëgjon këshillën është i urtë. I marri e tregon qartë zemërimin e vet, ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin. Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë, por dëshmitari i rremë, mashtrimin. Kush flet pa menduar është si shpatë therëse, por gjuha e të urtëve është shërim. Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë, por gjuha gënjeshtare vetëm për pak. Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim, këshilltarëve të paqes u takon gëzimi. Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim, ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija. Buzët gënjeshtare i neveriten Zotit, por atë e gëzon kush thotë të vërtetën. Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen, kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë. Dora e punëtorit do të mbizotërojë e dora e përtacit do të nënshtrohet. Ankthi i zemrës e thyen burrin, ndërsa një fjalë e mirë e gëzon. I drejti e drejton të afërtin e vet, por udha e të paudhëve ngatërron vetë ata. Përtaci nuk do të ketë gjah për të pjekur, por zelli i jep njeriut pasuri të çmueshme. Në udhën e drejtësisë është jeta, nuk ka vdekje në shtigjet e saj. Biri i urtë e dëgjon mësimin e të atit, por përqeshësi nuk e dëgjon qortimin. Njeriu ushqehet me të mira falë asaj që thotë, por shpirti i mashtruesve ndryn dhunë. Kush këqyr gojën e vet, ruan jetën e vet, kush i shkyç buzët, mbi të bie rrënimi. Përtaci dëshiron, por gjë s'fiton, ndërsa zelltarëve u rritet jeta. I drejti e urren fjalën e rreme, i paudhi përlyen e turpëron. Drejtësia ruan sjelljen e përkryer, të paudhin e rrënon mëkati. Dikush shtiret i pasur e s'ka asgjë, dikush shtiret i varfër e ka shumë pasuri. Pasuria është shpagim për jetën e njeriut, por i varfri as që dëgjon kërcënim. Drita e të drejtëve sjell gëzim, por të paudhëve u shteron llamba. Mendjemadhësia sjell vetëm grindje, por me ata që këshillohen është urtia. Pasuria e mbledhur shpejt e shpejt mpaket, por kush mbledh ngadalë, e shumon. Një shpresë e tejzgjatur e ligështon zemrën, por një dëshirë e përmbushur është pemë jete. Kush e përbuz fjalën, ndëshkon veten, kush e druan urdhërimin, do të shpërblehet. Mësimi i të urtit është burim jete për të shmangur leqet e vdekjes. Mirëkuptimi merr përkrahje; mashtruesit janë të paepur. Çdo i ftilluar vepron me zgjuarsi, por i pamendi rrezaton marrëzi. Lajmëtarin e paudhë e zë e keqja, por lajmësi besnik sjell shërim. Skamje e turp për kë shpërfill rregullin, por kush e zbaton qortimin, do të nderohet. Një dëshirë e plotësuar e lumturon njeriun, por të marrët as që duan të heqin dorë nga e keqja. Rri me të urtët e do të bëhesh i urtë, por kush rri me të marrët do ta pësojë. Mëkatarët i përndjek e keqja, ndërsa të drejtët do të shpërblehen me të mira. Njeriu i mirë u lë trashëgimi nipërve, por prona e mëkatarëve ruhet për të drejtin. Shumë ushqim ka në arat e skamnorëve, por ja që përlahet me padrejtësi. Kush e kursen shkopin, e urren të birin, por kush e do atë, nxiton ta qortojë. I drejti ha derisa ngihet, por të paudhëve s'u mbushet barku. Gruaja e urtë e lartëson shtëpinë, e marra e shemb me duart e veta. Kush shkon udhës së drejtë, druan Zotin, kush e shmang udhën e Zotit, e nënçmon. Në gojën e të marrit mbin thupra e mendjemadhësisë, por të urtët do të shpëtohen prej fjalëve të veta. Grazhdi pa qe mbetet i zbrazur, falë fuqisë së një kau, gëlojnë të korrat. Dëshmitari besnik nuk rren, dëshmitari i rremë nxjerr veç gënjeshtra. Përqeshësi e kërkon urtinë, por s'e gjen; të mençurit i vjen lehtë dija. Hiqju të marrit, se nuk do të nxësh fjalët e dijes. I mprehti e shqyrton me urti sjelljen e vet, të marrët i pështjellon marrëzia. Të marrët tallen me mëkatin, por të drejtët gjejnë hir. Veç zemra e njeh hidhërimin e vet, e gëzimin e saj s'e ndan dot i huaji. Shtëpia e të paudhëve do të rrënohet, por streha e të drejtëve do të lulëzojë. Dikujt mund t'i duket e drejtë një rrugë, por ja që sos shtigjeve të vdekjes. Zemra dhemb edhe në gaz e gëzimi mund të kthehet në vaj. Dredharaku do të ngopet me sjelljet e veta, njeriu i mirë edhe më shumë. Thjeshtaku beson gjithçka, ndërsa i përkori e di ku e hedh hapin. I urti e njeh frikën, ndaj i ikën së keqes, ndërsa i marri është i cekët e ngulakëmbës. Njeriu idhnak bën marrëzira, njeriu dinak është i urryer. Thjeshtakët trashëgojnë marrëzinë, ndërsa të mprehtët kurorëzohen me dije. Të këqijtë përkulen para njerëzve të mirë e të paudhët te portat e të drejtëve. Të varfrin e urren edhe fqinji i vet, por të shumtë janë ata që e duan të pasurin. Kush e përçmon të afërtin, mëkaton, por lum kush përkrah skamnorët. A nuk birren ata që veprojnë keq? Mirësi e besnikëri për ata që veprojnë mirë! Çdo mund e sjell një dobi, ndërsa fjalët e shumta janë varfëri. Të urtët kanë për kurorë pasurinë, por të marrët shkojnë nga marrëzia në marrëzi. Dëshmitari i vërtetë shpëton jetë, por kush gënjen përhap mashtrim. Në drojën e Zotit mbështetja është e fortë, ajo është strehim për bijtë e tij. Droja e Zotit është burim jete, të largon nga leqet e vdekjes. Një popull i madh është lavdia e mbretit, ndërsa një princ pa popull është i rrënuar. Kush nuk zemërohet shpejt, është plot mend, një shpirt i ngutur nxjerr në pah marrëzinë. Mendja e shëndoshë e gjallëron trupin, kurse smira bren eshtrat. Kush nëpërkëmb të vobektin, fyen krijuesin e tij, por kush përkrah nevojtarin, e nderon. I paudhi rrëzohet prej paudhësisë së vet, për të drejtin edhe vdekja është strehë. Urtia prehet në zemrën e të mençurit, por shfaqet edhe mes të marrëve. Drejtësia e lartëson një komb, mëkati është turpi i popujve. Mbreti e përkrah shërbëtorin e mbarë, por zemërohet me turpëruesin. Përgjigjja e butë e zmbraps zemërimin, por fjala e rëndë ngjall hidhërim. Gjuha e bukur e hijeshon dijen, ndërsa goja e të marrëve zbraz marrëzi. Sytë e Zotit arrijnë gjithkund, vëzhgojnë të keqin e të mirin. Një gjuhë e butë është pemë e jetës, por një gjuhë e prapë vret shpirtin. I marri e përçmon mësimin e të atit, por, kush e pranon qortimin, bëhet i urtë. Shtëpia e të drejtit është plot begati, ndërsa fitimi i të paudhit sjell trazim. Buzët e të urtëve përhapin dijen, por jo mendja e të marrëve. Flijimet e të paudhëve i neveriten Zotit. Lutja e të drejtëve është gëzimi i tij. Sjellja e të paudhit i neveritet Zotit, ai e do atë që ndjek drejtësinë. Kush lë udhën, duhet qortuar ashpër, kush i urren qortimet, do të vdesë. Para Zotit janë skëterra e humbëtira, aq më tepër zemra e bijve të njeriut. Përqeshësit nuk i pëlqen kush e qorton, ai nuk shoqërohet me të urtët. Një zemër e gëzuar ngazëllen fytyrën, një zemër e pikëlluar këput shpirtin. Zemra e të urtit kërkon dijen, ndërsa goja e të marrit mbllaçit marrëzi. Për skamnorin çdo ditë është e keqe, por zemërmiri bën festë pa fund. Më mirë pak me frikën e Zotit, se një thesar i madh me trazim. Më mirë një hise perimesh me dashuri, se një viç i majmë me urrejtje. Gjaknxehti mbjell grindje, kush ka durim, ul gjakrat. Udha e përtacit është si gardh me ferra, por shtegu i të drejtëve është i rrafshët. Djali i urtë e gëzon të atin, por njeriu i marrë e përçmon të ëmën. Marrëzia është gëzim për kë s'ka mend, por njeriu i mençur ecën drejt. Planet pa këshillime shkojnë huq, por me shumë këshilltarë zënë vend. Njeriu gëzohet kur jep përgjigje, por sa e mirë është fjala e thënë kur duhet! Jeta e ngre lart atë që sillet mirë, kështu ai shmang teposhtën e skëterrës. Zoti e rrënon shtëpinë e krenarëve, por truallin e të vesë do ta mbrojë. Shestimet e të mbrapshtit i neveriten Zotit, por fjalët e këndshme janë të pastra. Kush fiton me dredhi, e trazon shtëpinë, kush i urren dhuratat, do të jetojë. Mendja e të drejtit mendon e përgjigjet, por goja e të paudhëve nxjerr ligësi. Zoti është larg nga të paudhët, por lutjen e të drejtëve e dëgjon. Drita e syve ngazëllen zemrën, një lajm i mirë mëkëmb eshtrat. Veshi që dëgjon qortimin e shëndoshë zë vend mes të urtëve. Kush shpërfill rregullin, përçmon veten, kush e pranon qortimin, zë mend. Droja e Zotit është mësim urtie, përpara lavdisë vjen përulja. Shestimet e zemrës i takojnë njeriut, por përgjigjja vjen nga Zoti. Njeriut i duken të pastra të gjitha sjelljet e veta, por është Zoti ai që peshon shpirtrat. Paraqitja Zotit veprat e tua dhe shestimet e tua do të zënë vend. Zoti e ka bërë gjithçka me një qëllim, deri edhe të paudhin për ditën e mbrapshtë. Zotit i neveritet mendjemadhi, vërtet nuk do të mbesë pa u ndëshkuar. Me mirësi e besnikëri shlyhet faji e me drojën e Zotit shmanget e keqja. Kur Zotit i pëlqen sjellja e një njeriu, pajton me të edhe armiqtë e tij. Më mirë pak e me të drejtë, sesa shumë e pa të drejtë. Njeriu e sheston udhën e vet, por hapat ia drejton Zoti. Kumti hyjnor është në buzët e mbretit, goja e tij nuk do të gabojë në gjykim. Masa dhe peshoret e drejta i përkasin Zotit, të gjithë gurët e peshores janë vepër e tij. Veprat e mbrapshta u neveriten mbretërve, se froni i ka themelet në drejtësi. Buzët e drejtësisë e gëzojnë mbretin, ai e do kë flet me drejtësi. Zemërimi i mbretit është lajmëtar i vdekjes, kush e zbut, është njeri i urtë. Kur ndrin fytyra e mbretit, ka jetë, përkrahja e tij është si reja e shiut pranveror. Sa mirë kur njeriu fiton urtinë e jo arin, se duhet zgjedhur mençuria në vend të argjendit. Udha e të drejtëve shmang të keqen, kush sillet me kujdes, ruan jetën e vet. Krenaria i prin rrënimit dhe shpirti i sertë sjell rënien. Më mirë të përulesh me të përulurit, se të ndash prenë me krenarët. Kush i mendon mirë gjërat, gjen të mirën, kush beson në Zotin, është i lum. Njeriu i urtë do të quhet i mençur, të folurit ëmbël e shton mësimin. Kush ka urti, ka burimin e jetës, ndëshkimi i të marrëve është marrëzia. Mendja e të urtit e mençuron gojën, ua shton mësimin buzëve të tij. Thëniet e këndshme janë hoje mjalti, ëmbëlsi për shpirtin e shërim për eshtrat. Ka udhë që duket e drejtë, por në fund shpie në vdekje. Punëtorin e bën uria të punojë, e nxit goja e vet. Njeriu i pavlerë gatit ligësi, në buzët e tij një zjarr përvëlues. Njeriu mashtrues mbjell grindje, kush shpif përçan miqtë. Njeriu i dhunshëm e ngashënjen të afërtin e udha ku e shpie nuk është e mirë. Kush shkel syrin, synon mashtrimin, kur rrudh buzët, e ka bërë ligësinë. Flokët e thinjur janë kurorë e ndritshme, ajo gjendet në udhën e drejtësisë. Më mirë i durueshëm, se i fortë, më mirë të sundosh veten, se të pushtosh një qytet. Shorti hidhet në prehër, por vendimi vjen prej Zotit. Më mirë një kafshatë e thatë me qetësi, se një shtëpi plot gosti e grindje. Shërbëtori i mençur e sundon birin që turpëron, ai do të marrë trashëgiminë ndër vëllezër. Për argjendin është shkritorja e për arin furra, por zemrat i sprovon Zoti. Keqbërësi u vë mend fjalëve të mbrapshta, gënjeshtari i vë vesh gjuhës rrënimtare. Kush tallet me skamnorin, fyen krijuesin e tij, kush gëzohet me kobin nuk mbetet pa ndëshkuar. Kurora e pleqve janë bijtë e bijve, nderi i bijve janë prindërit e tyre. Të pamendit s'i shkon e folmja e zgjedhur e aq më pak të fismit gjuha gënjeshtare. Dhurata është gur fati për të zotin, ngado që të shkojë, përparon. Kush e harron fajin, kërkon miqësi, kush e ritregon, e përçan mikun. Një qortim zë vend te një i mençur më shumë se njëqind të rrahura te një i marrë. I ligu kërkon vetëm grindje, ndaj do t'i dërgohet një lajmës mizor. Më mirë të hasësh arushën që i kanë rrëmbyer të vegjlit, sesa të marrin në çartjen e tij. Atij që e kthen të mirën me të keqe, e keqja s'do t'i hiqet nga shtëpia. Fillimi i grindjes është si e çara që hap uji, lëre zënkën para se të shpërthejë. Shfajësimi i të paudhit e dënimi i të drejtit, të dyja këto i neveriten Zotit. Ç'duhen paratë në dorën e të marrit? Për të blerë urtinë kur nuk ka mend? Miku është i dashur në çdo kohë; vëllai ka lindur për kohë të vështirë. Është i pamend kush shtrëngon dorën e hyn dorëzanë te i afërti i vet. Kush do grindjen, do mëkatin; kush e mban veten për derë të madhe, kërkon rrënimin. Kush është zemërlig, nuk do të gjejë mirë; kush është gjuhëgjarpër, do ta zërë e keqja. Kush lind një të marrë, e lind për të zezë të vet; i ati i të shkalluarit nuk do të gëzojë. Zemra e hareshme balsam për shëndetin, shpirti i këputur than eshtrat. I paudhi merr dhurata nën dorë për të dredhuar shtigjet e drejtësisë. Njeriu i mençur e mban parasysh urtinë, por sytë e të marrit enden nëpër skajet e tokës. Një djalë i marrë është brengë për të atin e hidhërim për gruan që e lindi. Nuk është mirë të gjobitësh të drejtin apo të ndëshkosh të fismin kur është në të drejtë. Kush flet pak, di shumë, kush sundon veten, është i mençur. Po të heshtte, edhe i marri do të dukej i urtë, i mprehtë, po të mbante gojën. Kush ndjek tekat e veta, ndahet nga shokët, shpërthen kundër çdo këshille. Të marrin nuk e gëzon mençuria, por shprehja e mendimeve të veta. Bashkë me të ligun vjen edhe përçmimi, bashkë me turpin vjen edhe poshtërimi. Fjalët e gojës së njeriut janë ujëra të thella, lum gufues është burimi i urtisë. Nuk është mirë të mbështetësh të paudhin e të përmbysësh të drejtin para gjyqit. Buzët e të marrit çojnë në grindje dhe goja e tij thërret për goditje. Goja e të marrit është rrënimi i tij, buzët e tij lak për jetën e vet. Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme, zbresin gjer te zorrët e barkut. Kush është i ngathët në punën e vet, është vëlla me kryerrënuesin. Kullë e fortë është emri i Zotit, atje rend i drejti dhe është i mbrojtur. Kamja e të pasurit është kështjella e tij, mur i lartë në përfytyrimin e tij. Mendjemadhësia e njeriut i prin rrënimit, lavdisë i prin përulësia. Turp e faqja e zezë për kë përgjigjet para se të dëgjojë. Shpirti e mbështet njeriun në sëmundje, po shpirtin e pikëlluar kush do ta mëkëmbë? Mendja e mprehtë e arrin njohjen, njohjen e kërkon veshi i të urtëve. Dhurata ia hap rrugët njeriut, e udhëheq përpara të mëdhenjve. Kush flet i pari në një zënkë, duket i drejtë, por vjen tjetri dhe e heton. Grindjet mbyllen me short, shorti vendos edhe mes të fuqishmëve. Një vëlla i fyer është më i fortë se një kështjellë; grindjet janë si hekurat e një kulle. Njeriu ngihet me çfarë nxjerr nga goja, me çfarë del nga buzët e tij. Vdekja e jeta varen nga gjuha, kush e do atë, do t'ia hajë frytet. Kush gjen një grua, ka gjetur të mirën, ka fituar përkrahjen e Zotit. Fjalët e skamnorit janë përgjërime, ndërsa i pasuri përgjigjet vrazhdë. Njeriu mund ta pësojë nga miqtë, por miku mund të jetë më i shtrenjtë se vëllai. Më mirë i varfri i ndershëm, se gojëpërdali i marrë. Zelli pa dije s'është gjë e mirë; kush shpejton hapin, humb shtegun. Njeriun e rrënon marrëzia e vet, por zemra e tij tërbohet kundër Zotit. Kamja i shton e i shumon miqtë, ndërsa skamnori ngel pa miq. Dëshmitari i rremë s'mbetet pa ndëshkuar, kush përhap gënjeshtra, nuk ka shpëtim. Dorëdhënët kanë shumë lajkatarë, të gjithë bëhen miq me kë jep dhurata. Të varfrin e urrejnë të gjithë vëllezërit. Për më tepër e braktisin edhe miqtë. Ai i thërret, por s'i gjenden. Kush zë mend, e do veten, kush ruan mençurinë, gjen të mirën. Dëshmitari i rremë s'mbetet pa ndëshkuar, kush përhap gënjeshtra, do të rrënohet. Të marrit nuk i shkon mirëqenia, aq më pak skllavit të sundojë mbi princa. Mirëkuptimi ia zbut zemërimin njeriut, të mos merret me fyerjen është nder për të. Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit, por përkrahja e tij është si vesa mbi bar. Djali i marrë është fatkeqësi për të atin, zënkat e gruas si pikim që s'mbaron. Trashëgimi nga etërit: shtëpi e katandi, por nga Zoti: një grua plot urti. Përtacia vë në gjumë, njeriu i plogësht do të uritet. Kush mban urdhërimet, ruan veten, kush sillet shkujdesur, do të vdesë. Kush përkrah të varfrin, i jep hua Zotit. Zoti do ta shpërblejë. Sa të ketë shpresë, qortoje birin tënd, por mos u mbush me duf për ta vrarë. Kush është shumë zemërak duhet ndëshkuar, se po ta falësh, prapë e përsërit. Dëgjoje këshillën e pranoje rregullin, që, në fund, të jesh i urtë. Ka shumë shestime në mendjen e njeriut, por veç plani i Zotit do të qëndrojë. Mirësia e bën të këndshëm njeriun; është më i mirë i varfri sesa gënjeshtari. Droja e Zotit është jetë, kush e ka fle i kënaqur, e s'e zë e keqja. Përtaci e zhyt dorën në pjatë, por nuk e çon dot te goja. Godite përqeshësin e do të zërë mend thjeshtaku, qortoje të mençurin e do ta kuptojë dijen. Biri i pafytyrë e turpërues nëpërkëmb të atin e dëbon të ëmën. Biri im, po të mos dëgjosh më qortimin, shkëputesh nga fjalët e dijes. Dëshmitari i keq e fyen drejtësinë, goja e të paudhëve e gëlltit mbrapshtinë. Përqeshësit i pret gjykimi, të marrët druri kurrizit. Vera është përqeshëse, pija e potershme, kush jepet pas tyre nuk është i urtë. Tërbimi i mbretit është si ulërima e luanit, kush e ngacmon rrezikon jetën. Shmangia e ngatërresave është nder për njeriun; çdo i marrë bën shamatë. Përtaci nuk lëron në vjeshtë e kur vijnë të korrat s'gjen gjë. Shestimet e zemrës janë si ujë i thellë, por njeriu i mençur i nxjerr ato. Shumë vetë mbahen për njerëz të mirë, por kush e gjen një njeri besnik? I drejti jeton me ndershmëri, lum fëmijët që lë pas. Mbreti që rri ulur mbi fronin e gjykimit, shpërhap tërë të keqen me një shikim. Kush mund të thotë: «E kam zemrën të pastër, jam i dëlirë nga mëkati»? Një peshë kështu e një peshë ashtu, një masë kështu e një masë ashtu, që të dyja i neveriten Zotit. Fëmija njihet nga çfarë bën, në është e pastër dhe e drejtë vepra e tij. Veshin që dëgjon e syrin që shikon, që të dy i ka bërë Zoti. Mos të të pëlqejë gjumi, se varfërohesh, hap sytë e do të ngopesh me bukë. «E keqe, e keqe!», thotë blerësi, por kur largohet, krenohet me veten. Le të ketë ar e stoli sa të duash, gjëja më e çmuar janë buzët e ditura. Kujt ka hyrë dorëzanë për të panjohurin, merrja petkun, mbaje peng për të huajt. Buka e fituar me mashtrim duket e shijshme, por më pas goja është plot rërë. Bëji planet duke u këshilluar, hyr në luftë duke u menduar mirë. Shpifësi përendet e zbulon të fshehtat, mos u përziej me kë s'i mbyllet goja. Kujt mallkon të atin e të ëmën, do t'i shuhet drita në mes të territ. Trashëgimia e fituar shpejt në fillim nuk do të jetë e bekuar në fund. Mos thuaj: «Do ta kthej të keqen me të keqe!». Prit të të lirojë Zoti. Një peshë kështu e një peshë ashtu i neveriten Zotit, peshorja e rreme nuk është e mirë. Hapat e njeriut i drejton Zoti, si mundet njeriu ta kuptojë udhën e vet? Njeriu bie në kurth kur ngutet e thotë: «Kjo është e kushtuar!» e pastaj pendohet për kushtimet. Mbreti i urtë i shpërhap të paudhët e i shtyp me rrotë. Shpirti i njeriut është llambë e Zotit që shqyrton gjer në thellësi. Mirësia dhe e vërteta e ruajnë mbretin, froni i tij mbështetet mbi mirësinë. Krenaria e të rinjve është forca e tyre, flokët e thinjura janë stolia e pleqve. Plagët që kullojnë lajnë të keqen, të rrahurat zorrët e barkut. Zemra e mbretit është si rrjedhë uji në dorën e Zotit, ai e kthen nga t'ia ketë ënda. Njeriut i duken të drejta të gjitha rrugët, por zemrat i peshon Zoti. Të zbatosh të drejtën e drejtësinë i pëlqen Zotit më shumë se flijimet. Dritë e të paudhëve është mëkati, shikim poshtërues e zemër mburracake. Synimet e zelltarit sjellin mbarësi, por kushdo që ngutet përfundon në skamje. Thesaret e mbledhura me gënjeshtra janë si avulli i davaritur nga ndjekësit e vdekjes. Të paudhët i zvarrit dhuna e vet, sepse i kundërvihen drejtësisë. Udha e fajtorit është e shtrembër, vepra e të pastrit është e drejtë. Është më mirë të banosh në qoshen e një pullazi, se të ndash shtëpinë me një grua grindavece. Shpirti i të paudhit dëshiron të keqen e para tij s'gjen falje as i afërti. Kur ndëshkohet përqeshësi, urtohet thjeshtaku, kur mësohet i urti, nxë dijen. I drejti e vëzhgon shtëpinë e të paudhit, i plandos të paudhët në zezonë. Kush mbyll veshët ndaj britmës së skamnorit, do të bërtasë vetë e nuk do të marrë përgjigje. Dhurata e fshehtë zbut zemërimin mita e dhënë nën dorë, tërbimin. I drejti gëzohet kur bëhet drejtësia, por bakëqijtë tmerrohen. Njeriu që shmanget nga udha e mençurisë do të prehet në botën e hijeve. Kush jepet pas kënaqësisë është njeri i skamur, kush jepet pas verës e vajrave erëmirë nuk do të pasurohet. I paudhi do të paguajë për të drejtin, e i prapi për të mbarin. Më mirë të banosh në vend të shkretë, se me një grua grindavece e zemërake. Thesare tërheqëse e vajra erëmirë në shtëpinë e të urtit, por i përlan i marri. Kush ndjek drejtësinë e mirësinë, do të gjejë jetë, drejtësi e nder. I urti e sulmon qytetin e të fortëve, ia shemb fortesën ku e kishte varur shpresën. Kush mban gojën e gjuhën e vet, ruan veten nga vështirësitë. Krenari e mendjemadhi e kanë emrin përqeshës dhe veprojnë me mburrje të tepërt. Përtaci vdes nga dëshirat e veta, se duart e tij s'duan të punojnë. Lakmitari lakmon gjithë ditën, i drejti jep pa kursim. Flija e të paudhit është e neveritshme, aq më tepër kur kushtohet me prapësi. Dëshmitari i rremë do të marrë fund, por njeriu që dëgjon do të flasë gjithmonë. I paudhi vrenjt fytyrën, por i drejti kalit sjelljen. Nuk ka urti, s'ka mençuri e s'ka këshillë përballë Zotit. Kali është mbrehur për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit. Më mirë një emër i mirë, se një pasuri e madhe, më mirë të përmendesh për mirë, se të kesh ar e argjend. Ja ku piqen i pasuri dhe i varfri: ata të gjithë i ka krijuar Zoti. I mençuri e sheh ligësinë e fshihet, ndërsa thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen. Përvujtëria sjell drojën e Zotit, begati, nder e jetë. Në udhën e të prapit ka gjemba e kurthe, kush kujdeset për veten, rri larg tyre. Mësoje të riun që në fillim të udhës, se nuk do t'i shmanget as kur të plaket. I pasuri sundon mbi të varfrit, huamarrësi është skllav i huadhënësit. Kush mbjell padrejtësi, korr ligësi; shkopi i zemërimit të tij do të thyhet. Zemërgjeri do të bekohet, se ndan bukën me skamnorin. Dëboje përqeshësin e grindja do të ikë, do të reshtë zënka e çnderimi. Kush e do pastërtinë e zemrës dhe është fjalëmirë, është mik i mbretit. Sytë e Zotit e ruajnë dijen, ai i përmbys fjalët e të pabesit. Thotë përtaci: «Përjashta është luani. Mund të vritem në mes të rrugës!». Pus i thellë është goja e të huajës, i nëmuri nga Zoti, do të bjerë brenda. Marrëzia është e lidhur me zemrën e të riut, por e largon tej shkopi i qortimit. Kush e shtyp skamnorin, e pasuron. Kush i jep të pasurit, varfërohet. Vëru vesh e dëgjoi fjalët e të urtëve, vëri mend mësimit tim, ruaji thellë në zemër se janë të këndshme, mbaji gati në buzët e tua. Që të kesh besim te Zoti, sot po t'i shfaq edhe ty. A nuk i shkrova për ty tridhjetë këshilla e njoftime, për të të treguar besueshmërinë e fjalëve të vërteta, që t'u kthesh fjalë të vërteta dërguesve të tu? Mos e zhvat skamnorin pse është skamnor, mos e shtyp nevojtarin te porta, sepse me çështjen e tyre do të merret Zoti dhe do t'i zhvatë ata që ua zhvatin shpirtin. Mos u shoqëro me zemërakun e mos rri me njeriun e tërbuar, që të mos mësosh udhët e tij e të biesh vetë në kurth. Mos ji nga ata që shtrijnë dorën e hyjnë dorëzanë për detyrime. Nëse nuk ke me se të paguash, pse të ta marrin shtratin ku shtrihesh? Mos i zhvendos kufijtë e moçëm që kanë vënë etërit e tu. Shiko njeriun e aftë në punën e vet! Ai do të rrijë me mbretër e jo me njerëz çfarëdo. Kur të ulesh për të ngrënë me një prijës, ki kujdes kë ke përballë. Vëri fre grykës, nëse je hamës. Mos i dëshiro gjellët e tij, se janë bukë e pabesë. Mos u lodh për pasuri, por hiq dorë me mençuri. Ia hedh sytë, por s'është më, se vë krahë si shqiponja e fluturon në qiell. Mos ha bukën e të ligut e mos i dëshiro gjellët e tij, se ai bën llogari me vete. Të thotë: «Ha e pi!», por me zemër s'është me ty. Kafshatën që ke ngrënë do ta vjellësh e fjalët e bukura do t'i shkosh dëm. Mos i fol në vesh të marrit, se do ta përçmojë urtinë e mësimit tënd. Mos e lëviz kufirin e kahershëm e mos hyr në arën e jetimit, se shpaguesi i tyre është i fortë e do ta mbrojë çështjen e tyre ndaj teje. Ushtroje zemrën me parimin e veshët me fjalët e dijes. Mos rri pa e qortuar të riun, se nuk do të vdesë po t'i biesh me shkop. Bjeri me shkop, se e shpëton nga skëterra. Biri im, nëse zemra jote do të jetë e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllejë. Do të më gëzohet shpirti, kur buzët e tua të thonë të drejtën. Të mos i ketë zili zemra jote mëkatarët, por jeto gjithmonë me drojën e Zotit, se do të kesh të ardhme e nuk do të të pritet shpresa. Dëgjomë, o biri im, bëhu i urtë, drejtoje zemrën tënde në udhën e drejtë. Mos u shoqëro me ata që dehen me verë, me ata që s'ngopen së ngrëni mish, se pijaneci e grykësi do të skamen e përgjumja do t'i veshë me zhele. Dëgjoje tët atë që të ka lindur, mos e përçmo nënën në pleqëri. Blije e mos e shit të vërtetën, urtinë, rregullin e kuptimin. Sa shumë gëzohet ati i të drejtit e sa lumturohet ai që lind të urtin! Le të lumturohen ati yt e nëna jote, le të gëzojë ajo që të lindi. Vëmë vesh, biri im, e le të kënaqen sytë e tu me udhën time. Lavirja është gropë pa fund, e huaja pus i ngushtë. Ajo rri në pritë si vjedhësi dhe e shton numrin e burrave tradhtarë. Vaj kush, e mjerë për kë! Për kë janë zënkat e ankimet? Për kë janë plagët e kota dhe sytë e lëbyer? Për atë që jepet pas verës, për ata që shijojnë pije të përziera. Mos e shiko verën si kuqëlon, si përshkëndit në kupë e rrjedh lëmuar, se në fund të kafshon si gjarpri e të pickon si nepërka. Sytë e tu do të shohin çudira e zemra jote do të thotë prapësi. Do të jesh si ai që fle në mes të detit, si ai që rri shtrirë majë direkut. «Më kanë goditur, por s'më dhemb, më kanë rrahur, por s'di gjë. Po kur të zgjohem? Prapë do të më pihet». Mos i ki zili njerëzit e mbrapshtë e mos dëshiro të rrish me ta, se mendja e tyre pjell dhunë e buzët e tyre nxisin trazira. Shtëpia ndërtohet me urti, themelohet me mençuri. Falë dijes, dhomat mbushen me të mira të çmueshme e të këndshme. Njeriu i urtë është i fortë, njeriu i ditur është i fuqishëm. Kur përgatitesh për luftë, mendohesh mirë e fitorja vjen falë shumë këshillave. Dija është tepër e lartë për të marrin, ai s'e hap dot gojën te porta e qytetit. Kush synon të keqen, quhet tinëzar. I marri ka synime mëkatare, përqeshësi u neveritet të gjithëve. Nëse ligështohesh në ngushticë, paske pak fuqi. Çliroi të dënuarit me vdekje, ndaloi ata që zvargen drejt thertores. Po të thuash: «Nuk e dinim», a s'do ta kuptojë ai që peshon zemrat? Ai që kujdeset për jetën tënde e di e do t'ia kthejë secilit sipas veprave të veta. Ha mjaltë, biri im, se është i mirë e hoja ta ëmbëlson gojën. E tillë është urtia për shpirtin tënd, ta dish, nëse e gjen, do të kesh një të ardhme e nuk do të të pritet shpresa. Mos rri në pritë, si i paudhë, te shtëpia e të drejtit e mos e shkreto banesën e tij, se, i drejti, shtatë herë rrëzohet, por ngrihet, ndërsa të paudhët bien në zezonë. Po u rrëzua armiku yt, mos u gëzo, mos të të ngazëllejë zemra, kur ta zërë brenga, që të mos e shohë Zoti, t'i vijë keq, e ta largojë hidhërimin e vet prej tij. Mos u hidhëro prej bakëqijve e mos i ki zili të paudhët, se e ardhmja e të keqit nuk do të zgjatë e llamba e të paudhëve do të shuhet. Druaje, biri im, Zotin dhe mbretin e mos u përziej me ata që bëjnë ndryshe, se befas do të ngrihet ndëshkimi i tyre e kush e di si do të rrënohen ata të dy? Edhe këto janë për të urtët. Të mbash anë në gjyq, nuk është mirë. Kush i thotë të paudhit: «Je i drejtë», atë do ta mallkojnë popujt e do ta nëmin kombet. Kush e qorton, do të gëzohet, mbi të do të bjerë bekimi. Përgjigjja me fjalët e duhura është si puthja në buzë. Një herë puno përjashta e bëj gati arën, pastaj ndërtoje shtëpinë. Mos e padit kot fqinjin e mos të gënjejnë buzët e tua. Mos thuaj: «Siç ma bëri do t'ia bëj, do t'ia kthej secilit sipas veprës së tij». Kalova pranë arës së përtacit, pranë vreshtit të njeriut të pamend, dhe ja: kudo ishin rritur ferrat, e kishin mbuluar hithrat dhe ishin shembur muret. Shikova e mendova, pashë e mësova. Me pak gjumë e pak dremitje, pak pushim duarkryq, vjen skamja si endacake, nevoja porsi shqytar. Edhe këto që kanë mbledhur njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës, janë fjalët e urta të Solomonit. Lavdia e Perëndisë është të veprojë në fshehtësi, lavdia e mbretërve është të zbulojnë gjërat e fshehta. Qielli i lartë, toka e thellë e zemra e mbretit, janë të pashqyrtueshme. Hiqja ndryshkun argjendit e argjendari bën enën, hiqja sysh mbretit të paudhin e froni i tij do të mbështetet në drejtësi. Mos u mburr para mbretit e mos qëndro në vendin e të mëdhenjve, se është më mirë të të thonë: «Ngjitu këtu!», sesa të të përulin në sytë e fisnikut që e pe me sytë e tu. Mos shko me ngut në gjykatë, se çfarë do të bësh në fund, kur të të turpërojë fqinji? Çështjen tënde rrihe me fqinjin tënd, por të fshehtën e tjetrit mos e zbulo, se kush të dëgjon, të turpëron e çfarë ke përfolur s'mund ta kthesh mbrapsht. Si mollë e artë në enë argjendi është fjala e thënë kur duhet. Si vath i artë e si stoli ari të kulluar është i urti që qorton veshin e dëgjueshëm. Si freskia e dëborës në kohë të korrash është lajmëtari besnik për atë që e dërgon. Si retë dhe era, por pa shi, është edhe kush mburret për dhuratat që s'i bën. Princi mund të bindet me durim e gjuha e butë i thyen kockat. Nëse ke gjetur mjaltë, ha sa mjafton, se po e teprove, do ta vjellësh. Shkel rrallë në shtëpinë e fqinjit, që të mos lodhet me ty e të të urrejë. Çekan, shpatë e shigjetë e mprehtë është ai që jep dëshmi të rreme kundër të afërtit. Si dhëmb i prishur e këmbë e ndrydhur është shpresa në të pabesin në ditë ngushtice. Të këndosh para zemërvrarit është si të zhvishesh në ditë të ftohtë, si të hedhësh uthull mbi plagë. Po të ketë uri armiku yt, jepi bukë të hajë, po të ketë etje, jepi ujë të pijë, se kështu grumbullon prush mbi kokën e tij e Zoti do të të shpërblejë. Era e veriut sjell shiun, gjuha murmuritëse fytyrën e ngrysur. Më mirë të banosh në qoshen e pullazit, se të ndash shtëpinë me gruan grindavece. Si uji i freskët për një shpirt të etur është lajmi i mirë nga dheu i largët. Si gurrë e ndotur e si burim i turbullt është edhe i drejti që luhatet para të paudhit. Të hash tepër mjaltë e të kërkosh nderim pas nderimi, nuk është mirë. Si kështjellë e thyer e pa mure është edhe njeriu që s'e sundon veten. Nderimi për të marrin është i pavend, si bora në verë e shiu në të korra. Si zog flatrues e si dallëndyshe që përendet, kalon pa goditur mallkimi i kotë. Kalit, frushkullin; gomarit, frerët; të marrit shkopin kurrizit. Mos iu përgjigj të marrit sipas marrëzisë së tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai. Përgjigjju të marrit sipas marrëzisë së tij, që të mos i duket vetja i urtë. Kush çon fjalë me anë të të marrit, i këput këmbët vetes e pi hidhërim. Si zvargia e këmbëve të të çalit, fjala e urtë në gojën e të marrit. Nderimi për të marrin, si guri lidhur në hobe. Si ferrat në dorën e të dehurit është fjala e urtë në gojën e të marrit. Kush merr në punë të marrin dhe endacakun është si një shigjetar që plagos këdo. Si qeni që kthehet në të vjellat e veta, i marri që i kthehet marrëzisë. Po të shohësh një njeri që i duket vetja i urtë, atëherë prit më shumë prej të marrit se prej tij. Përtaci thotë: «Luanesha në rrugë! Luani në shesh!». Dera rrotullohet në menteshat e veta e përtaci në shtratin e vet. Përtaci e zhyt dorën në pjatë, por përton ta çojë te goja. Përtacit i duket vetja më i urtë se shtatë vetë që përgjigjen me mend. Kush përzihet kalimthi në zënkat që s'i përkasin, është si ai që kap qenin për veshi. Porsi i çmenduri që gjuan me shigjeta e heshta vdekjeprurëse, është kush gënjen mikun e i thotë: «Po bëja hoka!». Kur s'ka dru, fiket zjarri, kur mungon shpifësi, pushojnë grindjet. Si thëngjilli për prushin e druri për zjarrin, ashtu është grindaveci për grindjet. Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme: zbresin gjer te zorrët e barkut. Si shtresë argjendi në një enë balte janë fjalët përvëluese në zemrën e ligë. Kush urren, shtiret me fjalë, por brenda vetes gatuan mashtrimin. Mos i beso kur e hijeshon zërin, se në zemër ka një mijë të liga. Edhe pse e mbulon urrejtjen me shtirje, ligësia e tij do të dalë në shesh. Kush bën gropën, në gropë do të bjerë; guri kthehet mbi atë që e rrokullis. Kush gënjen, i urren të gënjyerit e vet; fjalët lajkatare përgatisin rrëzimin. Mos u mburr për nesër, se nuk e di ç'ndodh sot. Le të të lavdërojë tjetërkush, por jo ti veten, një i huaj po, por jo buzët e tua. Guri është i rëndë e rëra peshon, por më shumë se këto peshon ngucja e të marrit. Hidhërimi është mizor e zemërimi shpërthyes, por kush mund të qëndrojë përballë xhelozisë? Më mirë qortimi i hapur, se dashuria e pashprehur. Plagët e mikut janë të vërteta, puthjet e armikut, të tepruara. I ngopuri shkel mbi mjaltë, të uriturit i duket e ëmbël çdo gjë e hidhur. Si zogu që endet larg çerdhes është endacaku larg vendit të vet. Vaji e temjani e ngazëllejnë zemrën, edhe ëmbëlsia e mikut më shumë se këshilla njerëzore. Mos e braktis as mikun tënd, as mikun e atit tënd, kur të biesh në mjerim, mos shko te shtëpia e vëllait. Më mirë një mik i afërt, se një vëlla i largët. Bëhu i urtë, biri im, e ma gëzo zemrën, atëherë mund t'ia kthej fjalën atij që më tall. Njeriu i kujdesshëm e sheh të keqen e fshihet, por thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen. Merrja petkun atij që hyn dorëzanë për të huajin, mbaje peng për gruan e huaj. Kush e bekon me zë të lartë të afërtin herët në mëngjes, kjo do t'i quhet mallkim. Pikimi i pafund në një ditë shiu dhe gruaja grindavece ngjasojnë. Ta ndalësh është si të ndalësh erën, si të kapësh vajin me dorë. Hekuri mprihet me hekur, njeriu me njeriun. Kush ruan fikun, i ha kokrrat, kush kujdeset për të zotin, do të nderohet. Siç pasqyron uji fytyrën, edhe zemra pasqyron njeriun. Siç nuk kanë të ngopur skëterra e humbëtira, nuk kanë të ngopur as sytë e njeriut. Argjendi provohet në shkritore e ari në furrë, njeriu nga lavdet që i thurin. Po ta shtypësh të marrin në shterë, bashkë me grurin që bluan, prapë nuk do t'i hiqet marrëzia. Njihe mirë grigjën tënde, mbaje mendjen te tufa jote, se mbrothësia nuk zgjat përgjithmonë e as kurora brez pas brezi. Sapo të mbarojë sana e të dalë bari, sa të mblidhet kashta maleve, do të kesh qengja për t'u veshur e dhi sa për të blerë arën, shumë qumësht dhish për ushqim, ushqim për shtëpinë tënde e haje për shërbëtoret e tua. I paudhi arratiset edhe pa e ndjekur kush, por i drejti ka vetëbesim si luani. Në një vend ku shkelet ligji, dalin shumë krerë, por, me një njeri të mençur, ka qëndrueshmëri. Varfanjaku që shkel skamnorin, si rrebeshi që shkreton e lë pa bukë. Kush braktis ligjin, lëvdon të paudhin, por kush e zbaton ligjin, lufton kundër tij. Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë të drejtën, por kush kërkon Zotin, kupton gjithçka. Më mirë i varfri me sjellje të përsosur, se i pasuri me sjellje të prapë. Kush i përmbahet ligjit, është djalë i mençur, por kush shoqërohet me grykësit, turpëron të atin. Kush e shton pasurinë me përfitim e kamatë, e mbledh për atë që përkrah skamnorin. Kush i mbyll veshët ndaj ligjit, edhe lutjen e ka të neveritshme. Kush u prin të drejtëve në udhë të prapë, bie në gropën e vet, por trashëgimia e të përsosurve është e mirë. Të pasurit i duket vetja i urtë, por skamnori e shqyrton me mençuri. Kur ngazëllejnë të drejtët, lavdia është e madhe; kur ngrihen të paudhët, të gjithë fshihen. Kush fsheh fajet e veta, nuk do të përparojë, por kush i rrëfen e i braktis, do të mëshirohet. Lum njeriu që jeton me drojë; kush e ngurtëson zemrën, do të mjerohet. Luan ulëritës e ari i tërbuar është sundimtari i paudhë për një popull të skamur. Prijësi i paarsyeshëm bën dhunë të madhe; kujt urren fitimin e padrejtë, do t'i zgjatet jeta. Kush është përlyer me gjak njeriu, në gropë vaftë e askush mos e ndaltë. Kush jeton me përsosuri, do të shpëtohet; kush ndjek udhën e shtrembër, do të rrëzohet menjëherë. Kush punon arën do të ngihet me bukë; kush ndjek kotësi do të ngihet me varfëri. Njeriu i ndershëm do të mbushet me bekime, por kush ngutet për pasuri, nuk mbetet pa ndëshkim. Nuk është mirë të mbash anë, por dikush gabon për një copë bukë. Njeriu ziliqar nxiton të pasurohet, por nuk e di se do ta zërë varfëria. Qortuesi i një njeriu gjen hir më vonë më shumë se lajkatari. Kush vjedh të atin e të ëmën e thotë: «S'është mëkat», është ortak me rrënimtarin. I pangopuri nxit grindje, por kush shpreson në Zotin, do të kamet. Kush i beson mendjes së vet, është i marrë, kush ecën me urti, do të shpëtojë. Kush i jep skamnorit, nuk do të ketë skamje, por kush bën sikur s'sheh, bie në mallkim të madh. Kur ngrihen të paudhët, fshihen të gjithë, por kur ata marrin fund, shtohen të drejtët. Kush është kokëfortë ndaj qortimeve, shpejt do të rrënohet e nuk do të shërohet. Kur mbizotërojnë të drejtët, populli gëzon, kur sundon i paudhi, populli rënkon. Kush e do urtinë, e gëzon të atin, por kush shkon me lavire, shfaros pasurinë. Me drejtësi, mbreti e bën të qëndrueshëm vendin, por, kush e rëndon me tagra, e shkatërron. Kush i bën lajka mikut, i hedh rrjetën këmbëve. Kush bën shkelje, i ngre kurth vetes, por i drejti brohoret e gëzohet. I drejti ua njeh të drejtën skamnorëve, por i paudhi nuk ha arsye. Njerëzit qesëndisës e ndezin qytetin, por të urtët e zmbrapsin zemërimin. I urti, që ngatërrohet me të marrin, nxehet, qeshet e s'gjen prehje. Gjakësorët e urrejnë të përkryerin, por të drejtët kujdesen për të. I marri e shfryn gjithë dufin, por i urti përmbahet e qetësohet. Prijësi që u vë vesh fjalëve të rreme, të gjithë shërbëtorët i ka të paudhë. Këtu puqen skamnori e shtypësi: dritën e syve ua jep Zoti të dyve. Nëse mbreti gjykon me drejtësi skamnorët, froni i tij do të qëndrojë përgjithmonë. Shkopi dhe qortimi japin urti, por i riu që lihet i lirë, turpëron të ëmën. Kur mbizotërojnë të paudhët, mbizotëron krimi, por të drejtët do ta shohin përmbysjen e tyre. Qortoje birin e do të të lërë të qetë, do të ta kënaqë shpirtin. Kur s'ka vegim profetik, populli shthuret, por lum ai që mban ligjin. Skllavi nuk ndreqet me fjalë, të kupton, por s'i vë në zbatim. E shikon njeriun që ngutet për të folur? Shpreso prej të marrit më shumë se prej tij. Kush e përkëdhel skllavin që në rini, në fund do të ketë kokëçarje. Gjaknxehti nxit grindje, idhnaku bën shumë faje. Krenaria do ta poshtërojë njeriun, por kush përulet, merr nderime. Kush bëhet ortak me vjedhësin, urren veten, e dëgjon përbetimin, por nuk e tregon. Frika nga njerëzit të vë lakun, kush beson në Zotin, është i mbrojtur. Shumë e kërkojnë përkrahjen e prijësit, por e drejta e njeriut vjen prej Zotit. Të drejtëve u neveritet njeriu i padrejtë, të paudhit i neveritet kush jeton me drejtësi. Fjalët e Agurit, birit të Jakehut nga Masa. Thëniet e këtij njeriu drejtuar Itielit, për Itielin e Ukalin. Unë jam njeriu më trashanik e nuk e kam mençurinë njerëzore. Nuk e kam mësuar urtinë e nuk e kam dijen e të shenjtëve. Kush është ngjitur në qiell e ka zbritur? Kush e ka mbledhur erën në grusht? Kush i ka mbështjellë ujërat me petk? Kush ia ka vënë të tëra caqet tokës? Si e ka emrin ai dhe si e ka emrin biri i tij, nëse e njeh? Çdo fjalë e Perëndisë është e sprovuar; ai është mburojë për kë gjen strehë tek ai. Mos u shto gjë fjalëve të tija, që mos të të qortojë e të dalësh gënjeshtar. Dy gjëra kërkoj prej teje, mos m'i moho para se të vdes: mashtrimin e fjalët e rreme largoji prej meje; mos më jep as skamje, as pasuri, le të ha aq bukë sa më duhet, që të mos ngopem e të të mohoj e të them: kush është Zoti; që të mos varfërohem e të vjedh e ta përdhos emrin e Perëndisë tim. Mos shpif për shërbëtorin tek i zoti, se të nëm e të zë nëma. Ka njerëz që mallkojnë etërit e vet e nuk bekojnë nënat e veta. Ka njerëz që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë larë nga të pëgërat. Ka njerëz që picërrojnë sytë e vrenjtin vetullat. Ka njerëz që dhëmbët i kanë si shpata e nofullat si thika, për të shqyer të varfrit nga toka e të skamurit nga mesi i njerëzve. Ushunjëza ka dy bija: «Jep! Jep!». Tri gjëra nuk ngopen kurrë, katër nuk thonë kurrë: «Mjaft!»: skëterra, barku shterpë, toka e etur për ujë e zjarri që nuk thonë: «Mjaft!». Sytë e atij që shpotit të atin e s'i bindet të ëmës do t'i nxjerrin korbat e shpatit e do t'i hanë zogjtë e shqiponjës. Tri gjëra janë tepër të habitshme për mua, por katër as që i marr vesh: udhën e shqiponjës në qiell, udhën e gjarprit nëpër shkrepa, udhën e anijes në mes të detit e udhën e njeriut për te një vashë. Ja si sillet gruaja kurorëshkelëse: ha, lan gojën e thotë: «S'kam bërë keq». Për tri gjëra dridhet toka, por katër as që i duron: skllavin që bëhet mbret, të marrin që ngopet me bukë, gruan e urryer që martohet e skllaven që i zë vendin të zonjës. Katër janë gjërat e vogla të tokës, por e kanë nxënë urtinë: thneglat, popull pa fuqi, që verës përgatisin ushqimin për vete; vjedullat, popull pa pushtet, që kanë vënë banesat nëpër shkëmbinj; karkalecat, që nuk kanë mbret, por ecin të tërë në rresht; hardhucat, që kapen me dorë, por i gjen në pallatin mbretëror. Tri gjëra çapiten hijshëm, katër ecin hijerëndë: luani, kafsha më e fortë, që nuk zmbrapset përballë asgjëje; gjeli parzëmfortë, cjapi dhe mbreti në krye të ushtrisë. Nëse marrëzisht je krenuar, nëse ke thurur plane, mbaje gojën me dorë, se duke tundur qumështin, del gjalpi, duke u fryrë hundëve, del gjaku e duke i fryrë zemërimit, del grindja. Fjalët e Lamuelit, mbretit të Masës, që ia mësoi e ëma. Si vallë, biri im, si vallë, biri i barkut tim? Si vallë, biri i betimeve të mia? Mos ua jep grave fuqinë tënde e jetën tënde atyre që shfarosin mbretërit. Nuk u shkon mbretërve, o Lamuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë, as prijësve të dëshirojnë pije të forta, se, po të pinë, harrojnë rregullat e shtrembërojnë çështjen e tërë të mjeruarve. Jepini pije të fortë tatëpjetësit e verë zemërplasurve. Të pinë e të harrojnë varfërinë e vet, të mos e kujtojnë më brengën e vet. Fol për memecin, mbroje çështjen e tërë të mbaruarve. Hape gojën për të gjykuar drejt e mbro të varfrin e nevojtarin. A ka kush e gjen një grua të zonjën? Më e çmuar se margaritarët vlera e saj. Besim ka tek ajo zemra e burrit të saj e nuk do t'i mungojë fitimi. Gëzim i jep ajo e jo hidhërim, në të gjitha ditët e jetës së saj. Del e gjen li e lesh, duart i vë në punë me zell. Hiqet porsi anije tregtare që sjell ushqim së largu. Vetë zgjohet që me natë, për t'i dhënë ushqim shtëpisë e detyrat shërbëtoreve. Zë e mendon për një arë dhe e blen, me çfarë ka fituar, mbjell vreshtin. Hedh brezin ijëve tërë fuqi, fort u jep krahëve. Të mbarën e punës së vet shikon e natën llamba e saj nuk shuhet. Ja, shtrin dorën e merr furkën, boshtin në pëllëmbë e mban. Kundrejt skamnorit hap krahët, kundrejt nevojtarit shtrin dorën. Le të mos trembet nga dëbora, se e gjithë familja ka nga dy petka. Mbulojë thur për vete, vishet me li e mëndafsh. Njeri i njohur është i shoqi në qytet, kur rri me krerët e vendit. Sajon petka liri për të shitur, u jep tregtarëve breza. Ajo është veshur me forcë e nder, e pret të ardhmen buzagaz. Përherë gojën me urti e hap e gjuha e saj është mësim mirësie. Caqet e shtëpisë së vet vëzhgon e nuk ha bukën e përtacisë. Qëndrojnë lart bijtë e saj dhe e lavdërojnë, i shoqi e përlëvdon kështu: «Rangë kanë bërë shumë gra, por të gjithave ua ke kaluar!». Shtirake është hijeshia dhe e kotë bukuria, por gruaja që druan Zotin do të lavdërohet. Thurin lavde veprat e saj për të në qytet. Jepini asaj nga frytet e duarve të veta. Fjalët e kuvendarit, birit të Davidit, mbret në Jerusalem. Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari, tymnajë e kaluar tymnajës, gjithçka është tymnajë. Ç'dobi ka njeriu nga tërë mundi i vet, që të mundohet nën diell? Një brezni ikën, një brezni vjen, por toka mbetet përgjithmonë. Dielli lind e dielli perëndon, rend për te vendi i vet e atje rilind. Era fryn kah jugu, sillet kah veriu, sillet e përsillet, por në qerthullin e vet sillet. Të gjithë lumenjtë derdhen në det e deti nuk mbushet. Lumenjtë rrjedhin drejt vendit prej ku nisen sërish. Gjithçka është kapitëse, sa s'ka njeri ta tregojë. Syri nuk ngopet me të parë, veshi nuk ngihet me të dëgjuar. Ç'ka qenë, ajo edhe do të jetë, ç'është bërë, ajo edhe do të bëhet. Asgjë të re nuk ka nën diell! A ka ndonjë gjë që të thuhet: «Shiko, kjo është e re!». Por ajo kishte qenë qëkur, në kohët e lashta para nesh. Nuk ka kujtim për kohët e lashta, por as për të ardhmen nuk u mbetet kujtim atyre që do të vijnë më vonë. Unë, kuvendari, isha mbreti i Izraelit, në Jerusalem, dhe u përpoqa me zemër të hetoja e të zbuloja me anë të urtisë gjithçka që ndodh nën qiell. Kjo është një detyrë e rëndë që Perëndia ua ka dhënë njerëzve për t'u marrë me të. Kam parë gjithçka është bërë nën diell dhe, ja, gjithçka është tymnajë, si të rendësh pas erës. Çka është e shtrembër, nuk drejtohet dot, nuk mund të numërohet diçka që s'është. Atëherë thashë me vete: «Ja, unë e shtova dhe e shumova urtinë më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Zemra ime ka parë urti e dituri të shumtë». U dhashë me zemër pas njohjes së urtisë. Edhe marrëzinë dhe çmendurinë e njoha. Por edhe kjo është si të rendësh pas erës. Se, kur urtia është e madhe, e madhe është edhe ngasja. Kush shton diturinë, shton brengën. Atëherë thashë me vete: «Eja, pra, e provo edhe kënaqësinë! Dëfrehu!». Por, ja, edhe kjo është tymnajë. Për gazmimin thashë: «Marrëzi!». Edhe për kënaqësinë: «Për çfarë duhet?». U orvata me zemër ta kënaqja trupin me verë, ndonëse zemrën ma drejtonte urtia, e të arrija çmendurinë, derisa të shihja ku është ajo e mirë që bëjnë njerëzit nën qiell përgjatë gjithë jetës së tyre. Bëra vepra të mëdha, ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta për vete. Bëra për vete kopshte e pemishte dhe i mbolla me të gjitha pemët frutore. Bëra për vete pellgje uji për të ujitur pyllin me fidanë. Bleva skllevër e skllave për vete dhe të tjerë më lindën në shtëpi. Pata edhe shumë tufa bagëtish e grigja për vete, më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Grumbullova për vete argjend e ar, si edhe thesarin e mbretërve e të krahinave. Mblodha për vete këngëtarë e këngëtare, si edhe shumë gra, që janë kënaqësia e njerëzisë. U bëra i madhërishëm e ua kalova të gjithë paraardhësve të mi në Jerusalem. Madje edhe urtia ndenji me mua. Çfarëdo të më lypnin sytë, nuk ua mohoja. Nuk ia mohova zemrës asnjë kënaqësi, se zemra ime kënaqej me të gjitha mundet e mia dhe këtë e kisha si shpërblim për çdo mund. Pastaj i kundrova të gjitha veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin që kisha derdhur për t'i bërë. Dhe, ja, gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës, se nuk ka dobi nën diell. Atëherë u solla për të kundruar urtinë, marrëzinë e çmendurinë. Se, ç'mund të bëjë dikush që vjen pas mbretit, që s'e kanë bërë të tjerë më parë? Pashë se urtia është më e dobishme se marrëzia, siç është drita është më e dobishme se errësira. I urti i ka sytë në ballë, i marri ecën në errësirë. Por prapë unë e di se të dy i pret i njëjti fat. Prandaj, thashë më vete: «Edhe mua më pret fati i të marrit. Atëherë, ç'dobi kam të bëhem i urtë?». Dhe thashë në zemrën time se edhe kjo është tymnajë. Se nuk mbetet përherë kujtimi i të urtit, as i të marrit, por harrohet gjithçka që në ditët në vijim. Si mund të vdesë i urti me të marrin? E urrej jetën, se më duket e ligë çdo punë që kryhet nën diell. Se gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës. E urrej të gjithë mundin që kam derdhur nën diell, se duhet t'ia lë njeriut që vjen pas meje dhe kush e di nëse do të jetë i urtë apo i marrë? Ai do ta zotërojë tërë mundin që kam derdhur me urti nën diell. Edhe kjo është tymnajë. Atëherë zemrën ma kaploi përsëri trishtimi për tërë mundin që kisha hequr nën diell, se ka njerëz që mundohen me urti, me dituri e arritje, për t'i lënë pjesën e vet dikujt që nuk është munduar fare. Edhe kjo është tymnajë e ligësi e madhe. Çfarë arrin njeriu me tërë mundin e vet, duke u orvatur me zemër, duke u munduar nën diell? Tërë ditët e tij janë stërmundim. Ngasje është detyra e tij. As natën nuk i prehet zemra. Edhe kjo është tymnajë. Nuk ka asgjë më të mirë për njeriun sesa të hajë, të pijë e t'i kënaqet shpirti me mundin e vet. Edhe kjo, vërejta, vjen prej dorës së Perëndisë, se kush mund të hajë e të kënaqet më shumë se unë? Se, njeriut që i pëlqen, ai i jep urti, dituri e gëzim, ndërsa mëkatarit i cakton si detyrë të mbledhë e të grumbullojë, për t'ia dhënë kujt të dojë Perëndia. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës. Për gjithçka ka një stinë, ka një kohë për çdo gjë nën qiell: një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë e një kohë për të shkulur të mbjellat, një kohë për të vrarë e një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur e një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë e një kohë për të qeshur, një kohë për të vajtuar e një kohë për të vallëzuar, një kohë për të hedhur gurë e një kohë për të mbledhur gurë, një kohë për t'u përqafuar e një kohë për të mos u përqafuar, një kohë për të kërkuar e një kohë për të humbur, një kohë për të mbajtur e një kohë për të lëshuar, një kohë për të grisur e një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur e një kohë për të folur, një kohë për të dashur e një kohë për të urryer, një kohë për luftë e një kohë për paqe. Ç'dobi ka punëtori nga mundi i vet? Kam vërejtur detyrën që u ka dhënë Perëndia njerëzve, për ta kryer me mund. Ai ka bërë bukur gjithçka në kohën e vet. U ka vënë në zemër edhe përjetësinë, megjithëse njerëzit nuk e pikasin dot veprën që Perëndia e ka kryer nga fillimi në fund. E kam marrë vesh se për ta nuk ka më mirë sesa të dëfrehen e ta shijojnë jetën. Për më tepër, Perëndia i ka bërë dhuratë çdo njeriu të hajë, të pijë e ta shijojë tërë mundin e vet. E di se gjithçka bën Perëndia, mbetet përgjithmonë. Nuk i duhet shtuar asgjë e nuk i duhet hequr asgjë. Perëndia ka vepruar, që njerëzit të shohin e t'ia kenë frikën. Ç'është tani, ka qenë tashmë. Ç'ka për të qenë, është që tani. Çfarë ka kaluar e shqyrton Perëndia. Përsëri pashë nën diell se në vend të së drejtës ka paudhësi dhe në vend të drejtësisë ka paudhësi. Atëherë thashë në zemrën time: «Perëndia gjykon të drejtin e të paudhin, se ka një kohë për çdo gjë e për çdo veprim». Unë thashë në zemrën time: «Sa për njerëzit, Perëndia i vë në provë, që ta shohin se, në vetvete, ata janë kafshë». Se fati i njerëzve e fati i kafshëve është i njëjtë: siç vdesin këta, vdesin edhe ata. Të gjithë kanë të njëjtën frymë dhe njerëzit nuk kanë asnjë epërsi ndaj kafshëve, se gjithçka është tymnajë. Gjithçka shkon në të njëjtin vend. Gjithçka vjen nga pluhuri e në pluhur kthehet gjithçka. Kush e di në ngjitet lart shpirti i njerëzve e në zbret nën tokë shpirti i kafshëve? Kështu, vërejta se për njeriun nuk ka më mirë sesa të dëfrehet me mundin e vet, se kjo i takon. Kush vallë e bën të shohë se çfarë do të ndodhë pas tij? Pastaj u solla e pashë tërë shtypjen që ushtrohet nën diell. Dhe, ja, lotët e të shtypurve nuk ka kush t'i ngushëllojë, se pushteti mban anën e shtypësve, prandaj nuk ka kush t'i ngushëllojë. Atëherë u përgëzova me të vdekurit, që vdiqën e shkuan, më shumë se me të gjallët, që ende gjallojnë, por më mirë se të dyja palët është ai që ende nuk është e nuk e ka parë ligësinë që bëhet nën diell. Vërejta se tërë mundi e tërë arritjet në punë vinin nga zilia që kanë njerëzit me njëri-tjetrin. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës. I marri rri duarkryq e ha veten me dhëmbë. Më mirë një grusht plot qetësi, se dy duar plot mund e të rendësh pas erës. Përsëri pashë tymnajë nën diell: dikush fillikat, pa fëmijë e pa vëlla, bën gjithë atë mund të pafund e sytë s'i kanë të ngopur me pasuri. «Për kë po punoj, që po ia mohoj vetes kënaqësitë?». Edhe kjo është tymnajë e punë e mbrapshtë. Dy vetë janë më mirë se një, se shpërblehen mirë për mundin e vet. Se, po të rrëzohen, njëri ngre tjetrin. Por, mjerë ai që rrëzohet e nuk ka kush ta ngrejë. Po ashtu, nëse dy vetë flenë bashkë, ngrohen, por ai që mbetet vetëm, si do të ngrohet? Një njeri të vetëm e mundin, por dy vetë i bëjnë ballë një njeriu. Filli i trefishtë nuk këputet lehtë. Më mirë një djalë skamnor e i urtë, se një mbret plak e i marrë që nuk di të këshillohet më, se ai del nga burgu e bëhet mbret, ndonëse pati lindur skamnor në mbretërinë e vet. I pashë të gjithë të gjallët që ecin nën diell me djaloshin që u ngrit e i zuri vendin mbretit. Nuk kishte të sosur tërë ai popull, tërë ata të cilëve u printe. Por prapë, ata që do të vijnë më vonë, nuk do të gëzohen me të. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës. Ruaje këmbën kur të shkosh në tempullin e Perëndisë. Më mirë afrohu për të dëgjuar, sesa për të kushtuar flinë e të marrëve, se ata nuk e dinë se veprojnë keq. Mos e lësho gojën e mos të të ngutet zemra për të thënë fjalë para Perëndisë, se Perëndia është në qiell e ti në tokë, prandaj le të jenë të përkora fjalët e tua. Ëndrrat vijnë prej punëve të shumta, zëri i të marrit, prej fjalëve të shumta. Kur t'i zotohesh Perëndisë, mos vono ta plotësosh, se nuk i pëlqejnë marrëzitë. Zotimin që bëre, plotësoje. Më mirë të mos zotohesh, se të marrësh zotime e të mos i plotësosh. Mos e lër gojën të të çojë në mëkat e mos thuaj para lajmëtarit se ishte mendjelehtësi. Pse të zemërohet Perëndia kundër britmës sate e ta rrënojë veprën e duarve të tua? Se, kur shumohen ëndrrat, shumohen edhe tymnajat e fjalët, prandaj druaje Perëndinë. Nëse vëren se në një krahinë shtypet skamnori e të drejtit nuk i jepet e drejta, mos u habit nga kjo gjë, se të lartin e vëren dikush më i lartë dhe të gjithë i vëren eprori. Dobia e përgjithshme e tokës është kjo: arat e mbretit të punohen. Kush e do paranë, nuk ngopet me para. Kush e do pasurinë, nuk ngopet me të ardhura. Edhe kjo është tymnajë. Kur shumohet begatia, shumohen edhe ata që e brejnë. Ç'fitim kanë pronarët e saj, përveçse ta shohin me sy? I ëmbël është gjumi i punëtorit, si në ngrëntë pak, si në ngrëntë shumë, kurse të kamurin nuk e lë të flejë babëzia. Ka edhe një ligësi të rëndë që e kam parë nën diell: pasuria që ruan i zoti për të zezën e vet. Kjo pasuri merr fund me një përdorim të gabuar. Lind djali e s'i mbetet gjë në dorë. Siç doli nga barku i së ëmës, lakuriq do të kthehet e do të shkojë, siç erdhi. Nuk do të marrë asgjë nga mundi i vet, që ta mbartë në dorë. Edhe kjo është ligësi e rëndë. Siç erdhi, ashtu do të shkojë. E ç'dobi ka ai që mundohet për erë? Të gjitha ditët e veta i hëngri në errësirë, në brengë të madhe, në sëmundje e në zemërim. Ja, më duket mirë e bukur që njeriu të hajë, të pijë e të dëfrejë, prej mundit që heq nën diell, në ditët e numëruara që Perëndia i ka dhënë, se kjo i takon. Gjithashtu, çdo njeriu, të cilit Perëndia i dha pasuri e begati, i dha edhe mundësinë të hajë prej saj, të marrë pjesën e vet e të gëzojë mundin e vet. Kjo është dhuratë e Perëndisë. Ai nuk do t'i kujtojë shumë ditët e jetës së vet, por Perëndia do ta dëfrejë me gëzimin e zemrës. Ka një ligësi që e kam parë nën diell. Ajo rëndon shumë mbi njerëzinë. Një njeriu Perëndia i jep pasuri, begati e nderim, pa i mohuar asgjë nga ato që i dëshiron shpirti, por Perëndia nuk i jep mundësinë të ushqehet me to, se vjen i huaji e i ha. Kjo është tymnajë e lëngatë e rëndë. Nëse një njeri lind njëqind fëmijë e jeton shumë vite, nëse i shumohen ditët e jetës, por nuk i kënaqet shpirti me të mira e nuk mund të ketë as varr, them se dështaku do të ishte më mirë se ai. Se erdhi në tymnajë, iku në errësirë dhe errësira do t'ia mbulojë emrin. As diellin nuk e pa e nuk njohu asgjë tjetër. Ky gjeti prehje më mirë se tjetri. Edhe po të jetonte dy herë nga një mijë vjet pa e parë të mirën, a nuk shkojnë të gjithë në të njëjtin vend? Njeriu derdh gjithë atë mund për gojën e vet, por nuk i kënaqet shpirti. Se ç'dobi ka i urti më shumë se i marri? Ç'fiton ai skamnor që di të sillet me të gjallët? Më mirë është të shohësh me sy, se të bredhësh me ëndje. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës. Gjithçka që është, e ka një emër. Dihet ç'është njeriu. Ai nuk mund të rragatet me dikë që është më i fortë. Sa më shumë të shumohen fjalët, aq më shumë shtohet tymnaja. Ç'dobi ka njeriu? Se kush e di cila është e mira e njeriut në jetë, në ditët e numëruara të tymnajës së jetës së tij, që kalon si hije? Kush mund t'i tregojë njeriut çfarë vjen pas tij nën diell? Më mirë një emër i mirë, se vaji erëkëndshëm, dita e vdekjes, se dita e lindjes. Më mirë të shkosh në shtëpinë që mban zi, se në shtëpinë që bën festë, se po ai fund pret çdo njeri. Ta mbajë mend i gjalli! Më i mirë është pikëllimi, se buzagazi, se pas një fytyre të ngrysur ka një zemër të mirë. Zemra e të urtit është në shtëpinë që mban zi, por zemra e të marrit, në shtëpinë që bën festë. Më mirë të dëgjosh qortimin e të urtit, se të dëgjosh këngën e të marrit. Se porsi krikëllima e ferrave nën kusi, ashtu është e qeshura e të marrit. Edhe kjo është tymnajë. Mujshia e bën të marrë të urtin dhe mita e prish zemrën. Më mirë fundi i një gjëje, se fillimi, më mirë shpirti i durueshëm, se shpirti i krekosur. Mos u ngut të zemërohesh, se në gjirin e të marrit zë vend zemërimi. Mos thuaj: «Pse kohët e dikurshme ishin më të mira se këto?», se këtë pyetje nuk e bën nga urtia. E mirë është urtia bashkë me trashëgiminë, dobi për atë që sheh dritën e diellit. Nën hijen e urtisë është si nën hijen e parasë, por dobinë e ka dija. Urtia e mban gjallë të zotin. Shiko veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë çfarë ka shtrembëruar ai? Në ditë të mbarë bëhu i mbarë dhe, në ditë të ligë, vërej: edhe këtë, edhe atë i ka bërë Perëndia, që njeriu të mos e marrë vesh çdo të ndodhë pas tij. Kam parë gjithçka në ditët e tymnajës sime. Ka të drejtë që marrin fund në drejtësinë e vet e ka të paudhë që jetojnë gjatë në paudhësinë e vet. Mos u bëj shumë i drejtë e as tepër i urtë. Pse të rrënohesh? Mos u bëj shumë i paudhë e mos u bëj i marrë. Pse të vdesësh para kohe? Është mirë të kapësh një gjë, por pa e lëshuar tjetrën, se kush druan Perëndinë ia del me të gjitha. Urtia i jep forcë të urtit më shumë se dhjetë sundues në qytet. Nuk ka mbi tokë asnjeri që bën mirë e nuk mëkaton. Mos ua vër mendjen as të gjitha fjalëve që thonë, që të mos e dëgjosh shërbëtorin duke të të sharë. Zemra jote e di se edhe ti i ke sharë të tjerët. Të gjitha këto i sprovova me urti e thashë: «Do të bëhem i urtë», por nuk ia arrita. Çfarë ndodh, mbetet larg e shumë thellë! Kush mund ta pikasë? E prira zemrën për të marrë vesh, për të hulumtuar, për të kërkuar urtinë e shpjegimin dhe për të marrë vesh se ligësia është marrëzi e marrëzia është çmenduri. Më duket se gruaja është më e hidhur se vdekja, se ajo është kurth, zemra e saj është rrjetë e krahët e saj janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë, ikën prej saj, por mëkatari zihet prej saj. Shiko, këtë gjë e kam zbuluar, thotë kuvendari, për të gjetur një shpjegim të hollësishëm. Ajo që ende e kërkoj me shpirt, por nuk e gjej, është kjo: një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua ndër të gjitha nuk e gjeta. Veçse, vëreje këtë: më duket se Perëndia e krijoi njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë sendërgjime. Kush është si i urti e kush di t'i dallojë gjërat? Urtia njerëzore e shndrin fytyrën e tij e ia shndërron fytyrën e ngrysur. Zbatoji urdhrat e mbretit, se i je betuar Perëndisë. Mos u largo me ngut prej tij, mos ngul këmbë në punë të mbrapshta, se ai mund të bëjë çfarë të dojë. Se fjala e mbretit është eprore dhe kush mund t'i thotë: «Çfarë po bën?». Ai që e zbaton urdhërimin nuk do të njohë asnjë të keqe. Zemërurti njeh kohën e doket. Se çdo gjë ka kohën e doket e veta dhe ligësia peshon mbi njeriun. Asnjë nuk e di ç'do të ndodhë, prandaj kush mund t'i tregojë si do të ndodhë? Asnjeri nuk është i zoti i frymës, që të mund ta ndalë frymën. Askush nuk është i zoti në ditën e vdekjes. Nuk ka rrugëdalje nga beteja dhe ligësia nuk e shpëton të zotin. Gjithë këtë gjë e kundrova ndërsa isha dhënë me gjithë zemër ndaj çdo gjëje që ndodh nën diell, kur njeriu e sundon njeriun për të zezën e tij. Ndërkohë i pashë të paudhët të varrosur. Kishin hyrë në vendin e shenjtë dhe kishin dalë, por në qytet kishin harruar se kishin vepruar kështu. Edhe kjo është tymnajë. Meqë nuk merret një vendim i shpejtë për veprat e liga, zemra e njerëzve priret krejt për ligësi. Ndonëse mëkatarit, që bën njëqind ligësi, i zgjatet jeta, jam i vetëdijshëm se ata që druajnë Perëndinë do të kenë mbarësi ngaqë e druajnë. Por i paudhi nuk do të ketë mbarësi e nuk do t'i zgjaten ditët porsi hija, se nuk e druan Perëndinë. Në tokë ndodh edhe një tymnajë. Disa të drejtëve u ndodhin gjërat që u takojnë keqbërësve. Disa të paudhëve u ndodhin gjërat që u takojnë të drejtëve. Them se edhe kjo është tymnajë. Prandaj e çmoj harenë, se për njeriun nuk ka të mirë tjetër nën diell përveçse të hajë, të pijë e të gëzojë. Kjo do ta shoqërojë në mundin e ditëve të jetës së tij që i dha Perëndia nën diell. Kur u dhashë me gjithë zemër për ta njohur urtinë e për ta vërejtur detyrën që është caktuar mbi tokë, sesi sytë nuk shohin gjumë as ditën, as natën, pashë gjithë punën e Perëndisë, se njeriu nuk mund ta marrë me mend veprën që është kryer nën diell. Sado të mundohet njerëzia të kërkojë, nuk do ta gjejë. Edhe nëse ndonjë i urtë do të thotë se e di, nuk do të mund ta gjejë. Të tëra këto i mora për zemër, për t'i shqyrtuar të gjitha, se si i drejti, i urti e veprat e tyre janë në dorë të Perëndisë. Njeriu nuk ka njohuri as për dashurinë, as për urrejtjen. Para tij gjendet gjithçka. Për të gjithë ka veçse një fat, për të drejtin e për të paudhin, për të mirin e për të keqin, për të pastrin e për të papastrin, për kë flijon e për kë nuk flijon, për të mbarin e për mëkatarin, për atë që betohet e për atë që i druhet betimit. Kjo është e keqja ndër të gjitha gjërat që ndodhin nën diell: se të gjithë kanë të njëjtin fat. Edhe zemrat e njerëzve janë plot ligësi dhe marrëzinë e mbajnë në zemër sa të jenë gjallë. Pastaj shkojnë me të vdekurit. Por, ai që bashkohet me të gjallët, ka shpresë, se qeni i gjallë është më mirë se luani i ngordhur. Se të gjallët e dinë se do të vdesin, por të vdekurit nuk kanë dijeni për asgjë. Nuk ka shpërblim për ta, se kujtimi i tyre është lënë në harresë. Edhe dashuria, urrejtja e smira e tyre janë shuar tashmë. Nuk do të kenë kurrë më pjesë në asgjë që ndodh nën diell. Ec, haje me gëzim bukën tënde e pije me zemër të hareshme verën tënde, se Perëndisë i kanë pëlqyer tashmë veprat e tua. Mbaji gjithmonë të bardha petkat e tua e të mos i mungojë vaji erëmirë kokës sate. Shijoje jetën me gruan që dashuron gjatë gjithë ditëve të jetës sate të kotë, që ai të dha nën diell, se kjo është pjesa që ke në jetë dhe në mundin që do të heqësh nën diell. Çfarëdo pune të gjejë dora jote, bëje me tërë fuqinë tënde, se në skëterrën ku po shkon nuk ka as punë, as dituri, as dije, as urti. Përsëri pashë nën diell se garën nuk e fitojnë të shpejtët, as të fuqishmit betejën, as të urtët bukën, as të mençurit pasurinë dhe as të diturit nderimin, sepse koha dhe rastësia u qëllojnë të gjithëve. Njeriu nuk e njeh kohën e vet. Si peshqit që zihen në një rrjetë të mbrapshtë dhe si zogjtë që zihen në kurth, kështu bien në kurth njerëzit në kohën e ligë që i zë në befasi. Nën diell pashë edhe këtë urti që m'u duk e madhe: ishte një qytet i vogël, me pak njerëz në të. Iu sul një mbret i madh e ndërtoi kulla madhështore kundër tij, por në të u gjet një njeri skamnor e i urtë që e çliroi qytetin falë urtisë së tij. E pra, askush nuk e kujton atë njeri skamnor. Atëherë unë thashë: më e mirë është urtia, se fuqia, por urtia e skamnorit përçmohet e nuk i dëgjohen fjalët. Fjalët nën zë të të urtëve dëgjohen më mirë se britma e prijësit të të marrëve. Urtia është më e mirë se armët e luftës, por një mëkatar mund të rrënojë një begati të madhe. Disa miza të ngordhura e fëlliqin vajin erëmirë, pak marrëzi peshon më shumë se urtia e nderi. Zemra e të drejtit priret djathtas, ndërsa zemra e të marrit priret majtas. I marri, edhe kur ecën udhës, s'ka mend. U thotë të gjithëve se është i marrë. Nëse sundimtari shfryn kundër teje, mos luaj vendit, se qetësia zhbën mëkatet e rënda. Është një ligësi, që e kam parë nën diell, si gabim që bëhet nga sundimtari: marrëzisë i jepen shumë vende të larta, ndërsa të pasurit ulen në vende të ulëta. Kam parë skllevër mbi kuaj e princa duke ecur në këmbë si skllevër. Kush hap gropë, bie vetë brenda, atë që çan murin e ha gjarpri. Kush thyen gurë, prej tyre lëndohet, kush çan dru, rrezikohet pre tyre. Nëse hekuri topitet e askush s'ia mpreh tehun, duhet shtuar forca, është e dobishme të përparojë urtia. Nëse gjarpri kafshon para se të magjepset, magjistari nuk ka dobi. Fjalët e gojës së të urtit janë të hijshme, por të marrin e përpijnë buzët e veta. Fillimi i fjalëve të gojës së tij është marrëzi, fundi i gojëtarisë së tij është çmenduri e ligë. I marri i shumon fjalët. Askush s'e di ç'do të ndodhë, ndaj kush do t'i tregojë ç'do të ndodhë pas tij? Të marrët i kapit mundi, se nuk dinë as të shkojnë në qytet. E mjera ti, o tokë, që e ke mbretin riosh e princat e tu bëjnë gosti në mëngjes. E lumja ti, o tokë, që e ke mbretin bir fisniku e princat e tu bëjnë gosti kur duhet, për t'u mëkëmbur e jo për t'u pirë. Nga përtacia shembet pullazi, duarngratit i pikon shtëpia. Bukën e shtrojnë për t'u gëzuar, vera e bën jetën të hareshme, paraja i përgjigjet çdo gjëje. Mos e shaj mbretin as me mend dhe në dhomën e gjumit mos e shaj të pasurin, se zogu i qiellit do ta mbartë zërin e fluturaku do ta tregojë fjalën. Hidhe bukën tënde mbi ujëra, se pas shumë ditëve do ta gjesh. Ndaje në shtatë pjesë, apo tetë, se nuk e di ç'zezonë do të ndodhë mbi tokë. Nëse retë ngopen, shiun e derdhin mbi tokë, nëse një pemë bie në jug apo në veri, ku të bjerë, aty mbetet. Kush vëren erën, nuk mbjell, kush shikon retë, nuk korr. Sikurse nuk ke dijeni se nga u vjen fryma kockave në barkun e nënës, ashtu nuk e di as veprën e Perëndisë që bën gjithçka. Në mëngjes mbille farën tënde e deri në mbrëmje mos i ndal duart, se nuk e di cila është më e mirë, kjo apo ajo, apo të dyja janë të mira. Drita është e ëmbël dhe syve u bën mirë ta shohin diellin. Edhe nëse njeriu jeton shumë vite, le t'i gëzojë të gjitha, por të kujtojë vitet e errëta, që do të jenë të shumta, se gjithçka ndodh është tymnajë. Shijoje rininë, o djalosh, e le të të ngazëllejë zemra në ditët e rinisë sate. Ndiq udhën që të do zemra e vegimin që të shohin sytë, por dije se për të gjitha këto Perëndia do të të bëjë gjyq. Shporre prej zemrës ngasjen, dëboje ligësinë nga mishi, se djalëria e çapkënëria janë veçse tymnajë. Kujtohu për krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, ende pa ardhur ditët e liga, vitet për të cilat do të thuash: «Nuk më japin asnjë kënaqësi!», pa u errur dielli, drita, hëna e yjet, pa u kthyer retë pas shiut, kur të dridhen rojat e shtëpisë, kur të përkulen trimat e të ndalen bluajtësit, ngaqë janë pakësuar, kur të ngrysen ata që vështrojnë nga dritaret, kur të mbyllen dyert në rrugë, pasi të shuhet zhurma e bluarjes, zogjtë e ulin zërin dhe këngëtaret tulaten. Edhe nga lartësitë do të kenë frikë e tmerr nëpër rrugë. Do të lulëzojë bajamja, do të zvarritet karkaleci, do të dështojë kopri, se njeriu do të shkojë në banesën e amshuar, ndërsa vajtuesit enden nëpër rrugë, para se të këputet litari i argjendtë e të thërrmohet kupa e artë, para se të thyhet shtamba te burimi e të copëtohet çikriku në sternë, para se të kthehet pluhuri në tokë, siç kishte qenë, e shpirti të kthehet te Perëndia që e kishte dhuruar. Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari, gjithçka është tymnajë. Përveçse qe i urtë, kuvendari i mësoi popullit dijen. Ai dëgjoi, shqyrtoi e renditi shumë fjalë të urta. Kuvendari u përpoq të gjente fjalë të hijshme e shkroi drejt fjalë të vërteta. Fjalët e të urtëve janë si thumbues. Si gozhdë të ngulura mirë janë përmbledhjet e thënieve. Janë dhënë nga një bari i vetëm. Përtej këtyre, biri im, ki kujdes. Nuk ka fund përgatitja e librave të shumtë. Hulumtimi i shumtë e mundon trupin. Si përfundim, pasi u dëgjuan të gjitha, druaje Perëndinë e zbato urdhërimet e tij, se kjo është gjithçka për njeriun. Se Perëndia do të gjykojë çdo vepër e çdo të fshehtë, të mirë apo të keqe. Kënga e këngëve, që është e Solomonit. Ah, sikur të më puthë ai! Sikur të më puthë me gojën e vet! Se dashuria jote është më e mirë se vera, erëmirë është vaji yt i këndshëm, e emri yt, si vaj i zbrazur, prandaj edhe vashëzat të duan. Rrëmbemë e le të rendim! Të më shtjerë mbreti në kthinat e veta, që të ngazëllejmë e të gëzojmë falë teje, të kremtojmë me dashurinë tënde më shumë se me verë. Me të drejtë me ty dashurohen. Zeshkane jam, por e pëlqyeshme, o bijat e Jerusalemit, porsi tendat e Kedarit, porsi pëlhurat e Solomonit. Mos shihni se jam e zeshkët, se dielli mua më zuri. U zemëruan me mua bijtë e nënës sime e rojtare vreshtash mua më bënë, por vreshtin tim s'e ruajta. Tregomë, o ti, që dua me gjithë shpirt, nga e kullot ti grigjën tënde, ku mrizon kur bie zhegu? Pse të sillem si endacake unë pas tufave të shokëve të tu? Nëse ti s'e di, o e bukura ndër gra, ec gjurmëve të grigjës e ndanë staneve të barinjve edhat e tu kulloti. Si pelë në koçinë e faraonit, ashtu më ngjan ti, o mikja ime. Joshëse mes vathësh janë faqet e tua e gusha jote me rruaza mbështjellë. Do të bëjmë për ty stoli prej ari me rruzuj të argjendtë. Për sa kohë rri shtruar mbreti, livanda ime amësim shpërndan. Tufëz mirre i shtrenjti im për mua, mes gjinjve të mi pushuar. Me boçën e selvisë në vreshtat e En Gedit, ngjan i shtrenjti im për mua. Ah, sa e bukur je, ti mikja ime, sa e bukur je! Si pëllumba janë sytë e tu. Ah, sa i bukur je, i shtrenjti im, sa i hijshëm je! Lulet e harlisura janë shtrati ynë, cedrat janë trarët e shtëpive tona e qiparisat kemi për binarë. Unë jam vjollcë Sharoni, lilak lugine jam unë. Si lilak mes drizash, ashtu është mes vajzash mikja ime. Si pema e mollës mes pemëve të pyllit, ashtu është mes djemve i shtrenjti im. Me ëndje nën hije të tij u ula e fryti i tij qiellzën ma ëmbëlton. Te qilari i verës mua më çoi e mbi mua ngriti flamurin e dashurisë. Mbamëni me kuleç rrushi të thatë, përtërimëni me mollë, se më flashku mua dashuria. Me dorën e majtë kokën ai ma mban e me të djathtën më përqafon. Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit, pash sorkadhet a sutat e fushës: mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë deri kur t'ia ketë ënda. Një zë! I shtrenjti im! Ja, po vjen, duke u hedhur nëpër male, duke u tundur nëpër kodra. Ngjan si kaproll, i shtrenjti im, ose porsi zog drenushe. Ja, rri prapa murit tonë, nga dritarja ai përgjon, përmes hekurash vështron. Flet i shtrenjti im e më thotë: «Ngrihu, mikja ime, bukuroshja ime, e eja! Se, ja, dimri iku e vate, pushoi shiu e kaloi, çelën lulet nëpër ara, erdhi koha për të harrur e nëpër korijet tona zëri i turtullit dëgjohet. Fiku i poqi kokrrat e para, çeli hardhia e po erëmon: ngrihu e eja, mikja ime, bukuroshja ime, eja! Oh, pëllumbesha ime, që nëpër plasa shkrepash fshihesh e nëpër strofkat e rrëpirës, shfaqma mua pamjen tënde, jepma tingullin e zërit tënd, se zëri yt i ëmbël është e joshëse është pamja jote. Na i zini neve dhelprat, na i zini dhelpërushët, që vreshtat po batërdisin, vreshtat tona luleçelur». Imi është i shtrenjti im, edhe unë jam e atij, që kullot përmes lilakëve. Pa pushuar era e ditës e para se të zhduken hijet, kthehu, o i shtrenjti im, si kaproll, si zog drenushe, në bjeshkët erëmira. Netëve, mbi shtrojën time, e kërkova atë që me gjithë shpirt e dua. E kërkova, por s'e gjeta. Do të ngrihem, pra, qytetit ndër udhë e sheshe të endem, atë që me shpirt e dua, ta kërkoj. E kërkova, por s'e gjeta. Më hasën rojtarët, tek silleshin qytetit. «A e patë kund atë që me shpirt e dua?». Fill sa i kalova, e gjeta unë atë që me shpirt e dua. E rroka e nuk do ta lëshoj pa e shtënë në shtëpi të nënës sime, në dhomën e asaj që më ngjizi. Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit, pash sorkadhet a sutat e fushës: mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë deri kur t'ia ketë ënda. Ç'është ajo që shkretëtirës ngjitet porsi shtëllungat e tymit me mirrë e temjan erëzuar e me çdo pudër që shitet? Ja, bartorja e Solomonit! Gjashtëdhjetë trima e rrethojnë, ndër më të fortët e Izraelit. Të gjithë shpatën vringëllojnë e për luftë janë të ushtruar, shpatën ngjeshur e mbart secili kundër lemerisë së natës. Një vig bëri për vete Solomoni me drurë prej Libani. Këmbët prej argjendi i bëri, shpinëzën prej ari e ndenjësen të purpurt, me dashuri brenda qëndisur nga bijat e Jerusalemit. Dilni e shihni, o bijat e Sionit, mbretin Solomon, me kurorën që e ëma i vuri atë ditë kur u martua, atë ditë kur zemra iu gëzua. Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Si pëllumba sytë e tu për nën vellon tënde, flokët e tu si tufë dhish, shpatit të Gileadit, dhëmbët e tu si tufë delesh të qethura, të gjitha dalë nga larja, mbarsur me binjakë, se asnjëra s'mbet pa pjellë. Porsi fije të kuqe janë buzët e tua e joshëse goja jote. Porsi thelë shege janë mollëzat e tua për nën vellon tënde. Qafa jote, si kulla e Davidit, ndërtuar me shtresa, ku varen një mijë shqyte me tërë mburojat e burrave trimoshë. Dy gjinjtë e tu si dy kaproj binjakë të drenushës, kullotës ndër lilakë. Pa pushuar era e ditës e para se të zhduken hijet, do të shkoj mbi malin e mirrës e mbi kodrën e temjanit. Krejt e bukur je, o mikja ime, e asnjë të metë ti s'ke. Me mua, o nuse, me mua nga Libani eja, zbrit nga maja e Amanasë, nga majat e Senirit e Hermonit, nga strofujt e luanëve, nga malet e leopardëve. Ti ma vodhe zemrën, motërza ime, nuse, ti ma vodhe zemrën veç me një shikim, veç me njërin varg të gushores sate. Sa të këndshme janë ato dhelet e tua, o motërza ime, nuse! Më dehëse se vera janë dhelet e tua. Të mermë vajrat e tu mbi të gjitha erëzat. Buzët e tua si hoje pikojnë, o nuse, nën gjuhë mjaltë ke e qumësht, porsi erë Libani era e petkut tënd. Kopsht i ndryrë je ti, o motërza ime, nuse, kopsht i ndryrë je ti e gurrë e vulosur. Njomëzat e tua janë kopsht shegësh me fryte të zgjedhura, me këna e nard, me nard e shafran, shavar e kanellë, me çdo bimë temjani, mirre, aloeje e me tëra kryeerëzat. Burimi i kopshtit, gurra e ujit të gjallë që rrjedh nga Libani! Ngrihu, o murrlan, eja ti, o jugë, fryni në kopshtin tim, që t'i përhapen erëzat e brenda kopshtit të vet të vijë i shtrenjti im e t'i hajë ai frytet më të mira. Hyra në kopshtin tim, o motërza ime, nuse, mblodha mirrën time e vajin erëmirë, nga hualli im mjaltin hëngra e verën time piva bashkë me qumështin tim. Hani ju, o miq, pini e dehuni, o të dashur. Flija unë, por zemra s'po më flinte. Trokëllimë! I shtrenjti im troket! «Hapma derën, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, se plot vesë unë kokën kam, me lagshtën e natës dredhat më janë mbushur!». «Po unë këmishën e kam zhveshur, si ta vesh unë prapë? Po unë këmbët i kam larë, si t'i ndot unë prapë?». I shtrenjti im dorën në vrimë e shtiu e krejt u meka unë. U ngrita, të shtrenjtit derën t'i hap, e duart mirrë më rridhnin, gishtat mirrë më pikonin përmbi vegët e kajnacës. Të shtrenjtit tim ia hapa, por kish shkuar i shtrenjti im, gjetiu ai kish ikur e sa s'më la fryma, që kish ikur. E kërkova, por s'e gjeta, i bëzajta, por nuk më gjegji. Rojtarët, që qytetit enden, më kapën mua e më rrahën, më lënduan e më zhveshën rojtarët e mureve. Ju përbej, o bijat e Jerusalemit, po e gjetët të shtrenjtin tim, ja se ç'do t'i thoni: më ligu dashuria. Ç'ka më shumë i shtrenjti yt, o e bukura ndër gra? Ç'ka më shumë i shtrenjti yt, që kështu po na përben? Shndrin e kuqëlon i shtrenjti im, ai spikat ndër një mijë vetë. Kryet e tij, ar i kulluar, flokët e tij, dredha-dredha, janë të zinj si penda e korbit, sytë e tij porsi pëllumbat ndanë çurgut të ujërave, larë në qumësht e ndenjur shtruar. Faqet e tij si lehe erëzash, pirgje erëmirë buzët e tij, lilakë që vesojnë, mirrë që çurgon. Duart e tij si rrathë të artë, me margaritarë dendur. Barku i tij enë fildishi, mbuluar me safirë. Këmbët e tij shtylla mermeri, mbi themele ari të pastër. Nga të pamët është si Libani, si cedrat më të mirë. Ëmbëltim prej goje i del e është i tëri i dëshirueshëm. Ja, ky është i shtrenjti im, o bijat e Jerusalemit, e ky është miku im. Ku shkoi i shtrenjti yt, o e bukura ndër gra? Nga ktheu i shtrenjti yt, që me ty ne ta kërkojmë? Zbriti i shtrenjti im kah kopshti i vet, kah lehet e erëzave, kah kullotat e kopshteve, lilakë për të këputur. Të shtrenjtit tim i përkas unë e mua m'përket i shtrenjti im, ai që ndër lilakë kullot. E bukur je, o mikja ime, porsi Tirca, e hijshme si Jerusalemi, madhështore si flamujt e shpalosur. Hiqi sytë e tu prej meje, se m'i morën mendtë, flokët e tu si tufa e dhive, tatëpjetë Gileadit. Dhëmbët e tu si grigjë shqerrash të gjitha dalë nga larja mbarsur me binjakë, se asnjëra s'mbet pa pjellë. Porsi thelë shege janë mollëzat e tua përtej vellos sate. Gjashtëdhjetë janë mbretëresha, tetëdhjetë shemra e të panumërta vashat. E pashoqe është ajo, pëllumbesha ime, e përkryera ime, e vetme ajo për nënën e vet, që të dëlirë e lindi. E shohin vashëzat dhe e quajnë të lume. Mbretëreshat e shemrat lavde asaj i thurin. «Kush është kjo, që del si agu, e bukur si hëna e plotë, e çiltër porsi dielli, madhështore si flamujt e shpalosur?». Zbrita në kopshtin e arrave të shihja në vaun e bleruar në kish buluar hardhia e shegët në kishin çelur. S'di se si m'u ënd të rrija në qerren e popullit tim fisnik. Kthehu, o shulamite, kthehu! Kthehu, të të kundrojmë, kthehu! Ç't'i kundroni shulamites që është si vallja mes dy fushimesh? Sa të hijshme i ke këmbët në sandale, o bijë fisnikësh! Vijat e ijëve të tua porsi stoli, vepër kryemjeshtërore. Kërthiza jote si kupë e rrumbullt që s'mbetet kurrë pa verë erëmirë. Barku yt porsi pirg gruri me lilakë rrethuar. Dy gjinjtë e tu si dy kaproj binjakë të drenushës. Qafa jote si kullë fildishi, sytë e ty si pellgjet e Heshbonit te porta e Bat Rabimit. Hunda jote si kullë Libani me pamje nga Damasku. Kokën si Karmeli e ke e flokët porsi purpur, në gërsheta një mbret u zu. Sa e bukur je e sa e hirshme, o dashuri, e tëra kënaqësi. Shtati yt porsi palma, porsi vile gjinjtë e tu. Thashë me vete: «Do t'i ngjitem palmës e do t'ia vjel unë vilet». Qofshin gjinjtë e tu si vile rrushi e porsi era e mollës, era e frymës sate. Qiellza jote si vera më e mirë që rrjedh këndshëm e rrëshqet lëmuar ndër buzë e ndër dhëmbë. Unë i përkas të shtrenjtit tim e ai fort më dëshiron. Eja, o i shtrenjti im, të dalim ndër fusha, të bujmë ndër katunde. Të shkojmë herët ndër vreshta, të shohim a çeli hardhia, a shpërtheu sythi, a lulëzuan shegët. Atje dashurinë time ty do të ta dhuroj. Madërgonat lëshojnë erë, te dera e shtëpisë çdo të mirë kemi, të re e të vjetër. Për ty i kam ruajtur, o i shtrenjti im. Ah, të të kisha si vëllanë tim që gjinjtë e nënës sime thithi! Do të të gjeja përjashta e do të të puthja, njeri pa më përçmuar. Do të të prija në shtëpinë e nënës sime, e ti do të më mësoje, por unë verë erëmirë do të të koja e lëngun e shegës sime. Me dorën e majtë kokën ai ma mban e me të djathtën më përqafon. Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit, mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë, deri kur t'ia ketë ënda. Kush është ajo që ngjitet shkretëtirës mbështetur tek i shtrenjti i vet? Nën mollë të zgjova ty, atje ku të lindi nëna, atje ku lehona ty të pati lindur. Vërmë si vulë në zemër, si vulë në krahun tënd, se e fortë si vdekja është dashuria, e egër si skëterra smira, zjarrmia e saj zjarrmi përflakëse, flakë përvëluese. Ujërat e mëdha dashurinë s'mund ta shuajnë, as lumenjtë nuk mund ta përmbytin. Kush për dashuri jep shtëpi e katandi, fiton veçse qesëndi. Një motër të vogël kemi, që gjinjtë s'i kanë dalë. Ç'do të bëjmë me motrën tonë, kur për të të flitet? Po të ishte mur, bedena argjendi do t'i bënim, flegra cedra do t'i vinim, po të ishte derë. Mur jam unë e gjinjtë e mi si kulla. Para syve të tij paqe unë kam gjetur. Një vresht pati Solomoni në Baalhamon, e rojtarëve vreshtin ua dha. Secili për frytet e saj do të sillte një mijë monedha argjendi. Vreshti im, që më përket mua, shtrihet para meje. Ja, një mijë monedha për ty Solomon e dyqind për rojat e fryteve të tij. O ti, që banon në kopshte, e shokët e mi zërin ta dëgjojnë, edhe unë ta dëgjofsha! Shpejto, i shtrenjti im, porsi kaprolli a zogu i drenushës, në bjeshkët erëmira. Vegimi, që Isaia, biri i Amosit, pa për Judën dhe për Jerusalemin në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës. Dëgjoni, o qiej, mba vesh, o tokë, se po flet Zoti: fëmijët i mëkova e i rrita, por ata u ngritën kundër meje. Kau e njeh të zotin e gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk di asgjë, populli im nuk kupton. Mjerë kombi mëkatar, populli i ngarkuar me faje, fara e keqbërësve, fëmijët e shthurur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të shenjtin e Izraelit, shpinën i kanë kthyer. Përse doni t'ju godas edhe më? Përse vazhdoni të ngrini krye? Çdo kokë dergjet e sëmurë, çdo zemër lëngon nga dhimbja. Nga shputa e këmbës deri te koka nuk ka përbrenda asgjë të shëndetshme, veç blana e vurrata, plagë të hapura, që s'janë pastruar e s'janë lidhur, as nuk janë zbutur me vaj. Toka juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë shkrumbuar, arat jua hanë të huajt sy për sy, djerrinë e shkretuar prej të huajve. Ka mbetur bija e Sionit, si kasollja në mes të vreshtit, si kolibja në arën me tranguj, porsi qyteti i rrethuar. Sikur Zoti i ushtrive të mos na kishte lënë një tepricë të vogël, si Sodoma do të ishim, Gomorrës do t'i përngjanim. Dëgjojeni fjalën e Zotit, o prijës të Sodomës! Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë Zoti: jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh e me dhjamë bagëtish të majme. Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më. Kur vini të paraqiteni para meje, kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia? Mos sillni më fli të kota, temjanin e kam neveri, hënat e reja, të shtunat e të kremtet, kuvendet e paudhësitë nuk i përtyp dot. Hënat e reja e të kremtet tuaja i urrej me gjithë shpirt, më janë bërë barrë e nuk i duroj dot. Kur i shtrini duart drejt meje, unë i largoj sytë prej jush, edhe kur luteni gjatë e gjatë, as që ju dëgjoj, se duart i keni tërë gjak. Lahuni, pastrohuni, hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja, reshtni së bëri të keqen! Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, jepini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e të vesë. Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë Zoti. Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe, do të bëhen të bardha si dëbora, edhe po të jetë të kuqe si purpuri, do të bëhen porsi leshi. Nëse doni të më dëgjoni, do të hani të mirat e tokës, por nëse nuk pranoni e krye ngrini, do t'ju përpijë shpata. Kështu ka thënë goja e Zotit. Si u kthye në lavire qyteza besnike që ishte plot mirësi? Në të banonte dikur drejtësia e tani vrasësit. Argjendi të është kthyer në zgjyrë, vera t'u hollua me ujë. Prijësit e tu kanë ngritur krye, me kusarë shoqërohen. Të gjithë lakmojë dhuratat, rendin veç pas përfitimit. Nuk i japin të drejtën jetimit, çështja e të vesë s'arrin para tyre. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive, i forti i Izraelit: Mjerë! Do të kënaqem mbi kundërshtarët e mi, do të marr hak kundër armiqve të mi. Do ta kthej dorën kundër teje, me finjë do të ta heq zgjyrën, plumbin prej teje do ta zhduk krejt. Do t'i kthej gjyqtarët e tu si më parë, këshilltarët e tu siç ishte në fillim. Atëherë do të quhesh «Qyteti i Drejtësisë», do të quhesh «Qyteti Besnik». Sioni do të shpengohet me të drejtën, ata që pendohen në të, me drejtësinë. Të paudhët e mëkatarët do të shkatërrohen njëherësh, ata që braktisën Zotin do të marrin fund. Atëherë do t'ju vijë turp prej lisave, nën të cilët me dëshirë keni adhuruar, do të skuqeni prej kopshteve që vetë i patët zgjedhur. Se do të bëheni si lisi me gjethe të fishkura, porsi kopshti që nuk ka pikë uji. I forti do të bëhet si kallamishtja, vepra e tij porsi shkëndija, do të digjen që të dy e askush s'ka për t'i shuar. Fjala, që Isaia, biri i Amosit, pa në vegim për Judën dhe Jerusalemin. Do të ndodhë në ditët e ardhshme, që mali i shtëpisë së Zotit do të hedhë rrënjë mbi majat e maleve, përmbi kodra do të lartësohet e kombet mbarë do të vërshojnë drejt tij. Shumë popuj do të vijnë e do të thonë: «Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit, që udhët e tij të na i mësojë, që shtigjeve të tij të ecim». Se prej Sionit do të dalë ligji, prej Jerusalemit fjala e Zotit. Ai do ta bëjë gjyqin ndërmjet kombeve, ai do të shpallë vendim për shumë popuj. Do t'i farkëtojnë shpatat e do t'i bëjnë plugje, heshtat në drapërinj do t'i kthejnë. Kombi kundër kombit s'do ta ngrejë shpatën, për luftë më nuk do të ushtrohet kush. Ejani, o ju të shtëpisë së Jakobit, le të ecim në dritën e Zotit! Ti e ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, se, ja, plot me doke lindore janë mbushur, plot me shortarë, njëlloj si filistinët, krah për krah me bijtë e të huajve janë lidhur. Toka u është mbushur me argjend e ar, thesaret e tyre nuk kanë të sosur, vendin e kanë plot me kuaj, qerret e tyre nuk kanë të numëruar. Plot e kanë tokën edhe me idhuj, adhurojnë veprën e duarve të veta, çfarë kanë punuar me gishtat e tyre. Prandaj njeriu është përulur, çdonjëri është poshtëruar, por ti mos i fal! Hyr në shkëmb, fshihu në pluhur, para tmerrit të Zotit, para shkëlqimit të madhërisë së tij. Vështrimi krenar i njeriut do të përulet, kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet, atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti. Se Zoti i ushtrive e ka caktuar një ditë, kundër çdo krenari e kryelarti, kundër kujtdo që mbahet me të madh, për ta poshtëruar, kundër gjithë cedrave të Libanit, të lartë e madhështorë, kundër gjithë lisave të Bashanit, kundër gjithë maleve të larta, kundër gjithë kodrave të ngritura, kundër çdo kulle të lartë, kundër çdo muri të fortifikuar, kundër gjithë anijeve të Tarshishit, kundër gjithë lundrave të shtrenjta. Krenaria e njeriut do të përulet, kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet, atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti e idhujt do të zhduken krejt. Do të struken nëpër shpellat e shkëmbinjve e nëpër guvat e tokës, para tmerrit të Zotit, para shkëlqimit të madhështisë së tij, kur të ngrihet për të trandur tokën. Atë ditë do t'ua hedhin minjve e lakuriqëve të natës idhujt prej argjendi e prej ari që i kishin bërë vetë për t'i adhuruar. Do të struken nëpër të çarat e shkëmbinjve e nëpër zgavrat e shkrepave, para tmerrit të Zotit, para shkëlqimit të madhërisë të tij, kur të ngrihet për të trandur tokën. Mjaft shpresuat te njeriu, në flegrat e tij ka veç frymë. Ç'vlerë mund të ketë ai? Ja! Zoti, Zoti i ushtrive po heq prej Jerusalemit e prej Judës çdo përkrahje e çdo mbështetje, çdo ndihmë me bukë e çdo ndihmë me ujë, trimin e luftëtarin, gjyqtarin e profetin, shortarin e plakun, kreun e njësisë pesëdhjetëshe, bashkë me fisnikun, këshilltarin dhe magjistarin e aftë, yshtësin plot mjeshtëri. Do t'u vë djelmosha si prijës, foshnjat do të sundojnë mbi ta. Njëri-tjetrin do ta shkelin me këmbë, i afërti do të shtypë të afërtin, i riu do të sillet keq me plakun dhe i pandershmi me të ndershmin. Do të rrëmbejë vëllai vëllanë, brenda në shtëpinë e të atit. «Ja, ku e ke gunën», do t'i thotë. «Prina, kjo rrënojë është tani në dorën tënde». Atë ditë do të ngrejë zërin e do të thotë: «S'kam për t'u bërë mjeku i plagëve, në shtëpi nuk ka as bukë e as gunë, mos më caktoni prijës të popullit». Jerusalemi po rrënohet, Juda po bie, gjuha e veprat e tyre janë kundër Zotit, i kundërvihen sy më sy të Lavdishmit. Vetë pamja e fytyrës dëshmon kundër tyre, mëkatin e vet si Sodoma e shpallin e nuk e fshehin. Mjerë shpirti i tyre, se vetes i kanë bërë keq! I thoni të drejtit se është i lum, se do të hajë frytin e veprave të veta. Mjerë i paudhi, fatkeqësitë do ta godasin, do ta gjejnë ato që ka bërë me duart e veta. Shtypësit e popullit tim janë fëmijë, gratë sundojnë mbi të. O populli im, udhëheqësit e tu po të mashtrojnë e drejtimin e udhës po ta ngatërrojnë. Në këmbë u ngrit Zoti për të bërë padi, në këmbë po rri për të gjykuar popujt. Po vjen Zoti për të bërë gjyq me pleqtë e popullit e prijësit e tij: Jeni ju që e shkatërruat vreshtin, në shtëpitë tuaja i keni plaçkat që u rrëmbyet të varfërve. Me ç'të drejtë e shtypni popullin tim dhe dërrmoni fytyrën e të varfërve? Kumton Zoti, Zoti i ushtrive! E Zoti tha: krenohen bijat e Sionit, ecin me qafën zgjatur e me vështrime joshëse, ecin me hapa të vegjël lozonjarë, unazat nëpër këmbë u tringëllojnë. Por Zoti do t'ua bëjë kokën qerose, Zoti do t'ua lërë ballin zbuluar. Atë ditë Zoti do t'ua heqë stolitë e kyçeve të këmbës, fjongot e kokës e varëset gjysmëhënëshe, vathët, byzylykët e vellot, kësulat, gjerdanët e këmbës, brezat, enët e aromave e hajmalitë, unazat e stolitë e hundës, rrobat festive, mbulojat, shajet e çantëzat, pasqyrat, këmishëzat, shamitë e kokës e xhubletat. Atëherë, në vend të erës së mirë do të ketë kalbësi, në vend të brezit, litar, në vend të kaçurrelave, shogë, në vend të rrobës festive, grathore, në vend të hijeshisë, shëmti. Burrat e tu do të bien nga shpata, trimat e tu në betejë. Gjëmë e vaj do të ketë në portat e tua, i shkretuar do të ulesh përdhe. Shtatë gra do të mbërthejnë atë ditë një burrë. «Do të hamë bukën tonë», do t'i thonë, «Do të veshim rrobat tona, veç të mbajmë emrin tënd, që turpin tonë tej ta flakim». Po atë ditë filizi i Zotit do të jetë plot bukuri e lavdi dhe fryti i tokës do të jetë krenari e lavdi për të mbijetuarit e Izraelit. Ata që do të kenë mbetur në Sion e kushdo që do të ketë mbijetuar në Jerusalem do të quhen të shenjtë, të gjithë ata që janë shënuar për gjithë jetën në Jerusalem. Kjo, kur Zoti ta ketë larë ndyrësinë e bijave të Jerusalemit e ta ketë shpëlarë gjakun nga mesi i Jerusalemit përmes frymës së gjykimit e përmes frymës së zjarrit. Zoti do të krijojë mbi gjithë malin e Sionit dhe mbi vendet e kuvendeve të Sionit një re gjatë ditës e një shtëllungë tymi zjarri flakërues gjatë natës, sepse mbi gjithë atë lavdi do të ketë një mburojë që do të jetë si tendë për hije nga i nxehti i ditës e si strehë shpëtimi prej stuhisë e shiut. Do t'i këndoj të dashurit tim një këngë, këngën e të dashurit tim për vreshtin e tij, vreshtin, që i dashuri im mbi një kodër pjellore e kishte. E thuri, e pastroi nga gurët, me hardhi të zgjedhura e mbolli, në mes të tij një kullë ndërtoi, torkun brenda tij gërmoi. Priste t'i bënte rrush, por i dha veç larushk. E ju, o banorë të Jerusalemit, e ju, o burra të Judës, mes meje e vreshtit tim gjykoni! Ç'të bëj më për vreshtin tim, që ende s'e paskam bërë? Tek prisja të më bënte rrush, përse dha vetëm larushk? E tani më lejoni t'ju dëftej se ç'do t'i bëj vreshtit tim: do t'ia shthur gardhin, që të bëhet djerr, do t'ia rrëzoj ledhet, që ta shkelin me këmbë. Do ta lë të mbesë i shkretë, pa krasitje e pa prashitje, që të mbijnë ferra e gjemba. Reve do t'u urdhëroj, të mos ia lëshojnë shiun. Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, filizat e tij të zgjedhur janë banorët e Judës. Priti të vepronin drejt e ja, veç gjakderdhje, priti të bënin drejtësi e ja, veç gulçime. Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi, mjerë kush arës i shton arë! Në fund s'do të ketë më vend, vetmitarë do të jeni në mes të tokës. Në veshët e mi Zoti i ushtrive u betua: vërtet shumë shtëpi do të mbesin të shkreta, të mëdha e aq të bukura, por pa banorë. Tre hektarë vreshta veç një vozë verë, dhjetë thasë farë veç një thes fare. Mjerë ata që rendin qëmenatë pas pijeve dehëse e rrinë deri natën vonë duke u dendur me verë. Në festat e tyre ka harpa e qeste, dajre, fyej e verë, por as që duan t'ia dinë për veprën e Zotit, bëmat e duarve të tij as që i vënë re. Ndaj populli im do të degdiset nga padija, prej urisë do të vuajnë fisnikët e tij, turmat do t'i përvëlojë etja. Skëterra e ka hapur mirë grykën, gojën e ka shqyer gjerë e gjatë. Në të do të bien fisnikët e turmat, ajo shamatë e tërë ajo festë. Njeriu do të poshtërohet, shumë poshtë do të bjerë, vështrimi i krenarëve do të përulet. Do të lartësohet Zoti i ushtrive, kur të shpallë gjykim, Perëndia i shenjtë do ta dëftejë shenjtërinë, kur të bëjë drejtësi. Do të kullotin atje qengjat si në livadhin e tyre, të huajt do të ushqehen në rrënojat e pasanikëve. Mjerë ata që, me litarët e mashtrimit, tërheqin pas vetes paudhësinë, dhe mëkatin me litarët e qerres. E thonë: «Të nxitojë e ta bëjë shpejt veprën e tij, që ta shohim, të përmbushen sa më shpejt shestimet e të shenjtit të Izraelit, që ta njohim». Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë e të mirën të keqe, që terrin e mbajnë për dritë e dritën për errësirë, që hidhësinë e mbajnë për të ëmbël e të ëmblën për të hidhur. Mjerë ata që mbahen për të urtë, që kujtojnë se janë të mençur. Mjerë ata që janë trima për të pirë verë e mjeshtra për të përzier pijet dehëse, që e shfajësojnë të paudhin për të marrë mitë e të drejtit ia mohojnë drejtësinë. Ndaj, sikur gjuha e zjarrit djeg kashtën e flaka përpin bykun, ashtu do t'u kalbet rrënja e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri, se e hodhën poshtë ligjin e Zotit të ushtrive, e përçmuan fjalën e të shenjtit të Izraelit. Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit, prandaj e shtriu dorën për t'i goditur. Malet fort u trandën e kufomat e tyre si plehu mbuluan rrugët, por zemërimi i tij nuk u fashit e dora e tij është ende e shtrirë. Flamurin do të ngrejë për kombet e largëta, do t'u fërshëllejë deri në skajet e tokës e, ja, kur t'ia behin shpejt e vetëtimthi. Asnjë s'është i lodhur apo i këputur, asnjë nuk dremit e nuk përgjumet, Brezi nga ijët nuk u zgjidhet, rripat e sandaleve nuk u këputen. Shigjetat e tyre janë të mprehta, harqet të ndehura, thundrat e kuajve të forta si gur stralli, rrotat e qerreve të luftës si vorbulla e erës. Ulërima e tyre si ulërimë luani, ulërijnë si këlyshë luani. Hungërojnë, zënë prenë, në vend të sigurt e shpien e askush nuk ua rrëmben. Do të ulërijnë atë ditë mbi të, siç ulërin deti, Do të hedhin sytë mbi vendin, do të shohin errësirë e fatkeqësi, dritën të errësuar prej reve. Vitin që vdiq mbreti Uziah, pashë Zotin të ulur në një fron të lartë e madhështor. Cepat e petkut të tij mbushnin tempullin. Mbi të qëndronin serafët. Secili prej tyre kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy këmbët e me dy krahë fluturonte. Ata i thërrisnin njëri-tjetrit e thoshin: «Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i ushtrive! Mbarë toka është plot me lavdinë e tij!». Pragjet e shtalkave u drodhën nga zëri i atij që thërriste dhe tempulli u mbush me tym. E unë thashë: «I mjeri unë! Mora fund! Se njeri me buzë të papastra jam e mes një populli të papastër jetoj, por sytë e mi panë Mbretin, Zotin e ushtrive». Atëherë njëri nga serafët fluturoi drejt meje. Në dorë mbante një thëngjill zjarri që e kishte marrë me mashë prej altarit. Me të më preku gojën e më tha: «Ja, ky preku buzët e tua, paudhësia jote u fal, mëkati yt u shlye». Mandej dëgjova zërin e Zotit që tha: «Kë të dërgoj? Kush do të shkojë për ne?». Unë thashë: «Ja ku jam, dërgomë mua!». E ai më tha: «Shko e thuaji këtij populli: për të dëgjuar, do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, për të parë, do të shihni, por nuk do të dalloni. Trashja zemrën këtij populli, shurdhoja veshët, verboja sytë, që të mos shohin me sy e të mos dëgjojnë me veshë, që zemra e tyre të mos kuptojë, e kështu të mos kthehen e të shërohen». Atëherë unë thashë: «Deri kur, o Zot?». Ai m'u përgjigj: «Derisa qytetet të shkretohen e banorë të mos kenë, derisa shtëpitë të mbesin pa njeri e toka të lihet djerr. Derisa Zoti ta degdisë njerëzinë e shkretimi të jetë i madh në vend. Por edhe një e dhjeta që do të mbesë, do të kthehet e do të kalojë nëpër zjarr. Do të jetë si qarri e si lisi që kur priten u mbetet veç trungu, trungu që do të jetë filizi i shenjtë». Në ditët e Ahazit, birit të Jotamit, të birit të Uziahut, mbretit të Judës, Recini, mbreti i Aramit, dhe Pekahu, biri i Remaliahut, mbretit të Izraelit, shkuan për të sulmuar Jerusalemin, por nuk mundën ta pushtonin. I dërguan lajm shtëpisë së Davidit e i thanë: «Arami ka ngritur fushimin në Efraim». Ahazit e mbarë popullit iu drodh zemra, ashtu siç dridhen pemët e pyllit prej erës. Atëherë Zoti i tha Isaisë: «Nisu bashkë me birin tënd Shear Jashubin për të takuar Ahazin. Dili përpara te cepi i ujësjellësit të depos së sipërme, udhës për në Arën e Rrobalarësit, e thuaji: bëj kujdes e rri i qetë! Mos ki frikë e mos të të tutet zemra nga flaka e zemërimit të Recinit të Aramit dhe birit të Remaliahut, këtyre dy cungjeve që digjen e lëshojnë tym. Arami, Efraimi e biri i Remaliahut kanë shestuar të këqija kundër teje e kanë thënë: “Ta sulmojmë Judën e t'i fusim tmerrin, ta pushtojmë e t'i vëmë për mbret birin e Tabealit”. Kështu thotë Zoti Perëndi: “S'ka për të ngjarë e s'ka për të ndodhur ashtu! Kryeqyteti i Aramit është Damasku, sunduesi i Damaskut është Recini. Edhe gjashtëdhjetë e pesë vjet e Efraimi nuk do të jetë më popull. Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe sunduesi i Samarisë është biri i Remaliahut. Nëse nuk do të keni besim, nuk do të qëndroni”». Zoti i foli përsëri Ahazit e i tha: «Kërko një shenjë prej Zotit, Perëndisë tënd, në thellësitë e skëterrës ose në lartësitë e qiellit». Ahazi iu përgjigj: «Nuk do të kërkoj asgjë e nuk do ta vë në provë Zotin ». Atëherë Isaia i tha: «Dëgjo, pra, o shtëpi e Davidit! Pak ju duket të mundoni njerëzit, që doni të mundoni edhe Perëndinë tim? Prandaj vetë Zoti do t'ju japë një shenjë: ja, vashëza do të mbetet shtatzënë, do të lindë një djalë e do ta quajë Emanuel. Do të ushqehet me ajkë e me mjaltë, derisa të mësojë të hedhë poshtë të keqen e të zgjedhë të mirën. Por para se djali të arrijë të mësojë të hedhë poshtë të keqen e të zgjedhë të mirën, vendi, dy mbretërit e të cilit ti i ke frikë, do të mbetet i shkretë. Zoti do të sjellë mbi ty, mbi popullin tënd e mbi shtëpinë e atit tënd, ditë që nuk janë parë që kur Efraimi u nda nga Juda. Ai do të sjellë mbretin e Asirisë». Ja se ç'do të ndodhë atë ditë: Zoti do t'u fishkëllejë mizave që gjenden në brigjet e lumenjve të Egjiptit, si edhe bletëve prej trojeve të Asirisë. Do të vijnë e nëpër lugina plot rrëpira do të ngulen, nëpër të çara shkëmbinjsh, nëpër ferrishte, nëpër të gjitha kullotat me ujë. Atë ditë Zoti do të marrë briskun e do të rruajë, do ta marrë hua prej përtej Eufratit, e ky është mbreti i Asirisë. Do të rruajë koka e këmbë, mjekrat do t'i qethë krejt. Do të ndodhë që atë ditë njeriu një mëshqerrë e dy dele gjallë do t'i mbajë. Nga begatia e qumështit, me ajkë qumështi do të ushqehet. Me ajkë e me mjaltë do të ushqehen tërë ata që në vend do të kenë mbetur. Atë ditë çdo tokë me një mijë hardhi, me vlerë një mijë monedha argjendi, do të shkretohet nga ferrat e shkurret. Do të hyjnë në të me shigjeta e harqe, se tërë vendi do të mbulohet me ferra e shkurre. Të gjitha kodrat, që dikur prashiteshin, s'do të përshkohen dot prej ferrave e shkurreve. Do të kthehen në rrah për gjedhët, në një vend që e shkelin dhentë. Zoti më tha: «Merr një rrasë të madhe e shkruaj në të me shkrim të rëndomtë: “Për Maher Shalal Hash Bazin ”». Mora me vete si dëshmitarë të besuar priftin Urjah dhe Zakarinë, birin e Jeberekiahut. Mandej fjeta me profeteshën. Ajo u ngjiz e lindi djalë. E Zoti më tha: «Quaje Maher Shalal Hash Baz, sepse para se djali të dijë të thotë “ati im” apo “nëna ime”, pasuria e Damaskut dhe plaçkat e Samarisë do të çohen para mbretit të Asirisë». Zoti më foli sërish e më tha: «Meqë ky popull e përbuzi ujin e Shiloahut, atë ujë që ëmbël rrjedh, e u kënaq me Recinin e me birin e Remaliahut, ja, Zoti do të sjellë mbi ta ujërat e rrëmbyer të Eufratit, pra, mbretin e Asirisë me tërë lavdinë e tij. Ai do të dalë prej shtratit e gjithë brigjet do t'i përmbytë. Do të vërshojë mbi Judën, do ta mbulojë e do ta mbytë, deri në fyt do t'i arrijë. Krahët e tij të hapur do të mbulojnë tërë trojet e tua, o Emanuel». Bëhuni bashkë, o popuj, keni për t'u thyer! Dëgjoni gjithë ju, o skajet e dheut, ngjishini armët, keni për t'u thyer, ngjishini, pra, keni për t'u thyer! Sendërgjoni, por kot e keni, jepni urdhra, do të jenë pa vlerë, se Perëndia është me ne. Ja se ç'më tha Zoti, kur më kapi për dore e më paralajmëroi që të mos eci udhës së këtij populli: «Mos quani përbetim gjithçka që ky popull quan përbetim, çka ai ka frikë mos e kini frikë e mos u dridhni». Zotin e ushtrive, atë shenjtëroni, atë të keni frikë, prej tij tmerrohuni. Ai do të jetë shenjtërorja, por edhe guri i pengesës, ai do të jetë shkëmbi, ku do të rrëzohen dy shtëpitë e Izraelit, ai do të jetë kurthi e laku i banorëve të Jerusalemit. Mes tyre shumë do të pengohen, do të bien e do të copëtohen, do t'i mbërthejë laku e do të kapen. Lidhe këtë dëshmi, vulose këtë ligj ndër nxënësit e mi. E unë do të pres Zotin, që e ka fshehur fytyrën nga shtëpia e Jakobit, e tek ai do të shpresoj. Ja, unë e djemtë, që më dha Zoti, jemi për Izraelin shenjë e paralajmërim prej Zotit të ushtrive që banon në malin e Sionit. Do t'ju thonë: «Këshillohuni me shpirtra të vdekurish, me shortarë, që murmuritin e pëshpëritin. A nuk duhet të këshillohet populli me perënditë e veta, të pyesë të vdekurit për të gjallët?». Përmbajuni ligjit e dëshmisë! Po të mos flasin sipas kësaj fjale, nuk kanë për t'ia arritur agimit. I këputur e i uritur do të endet udhëve, e kur të ketë uri, do të tërbohet, mbretin e Perëndinë e vet do të mallkojë. Do t'i hedhë sytë drejt qiellit, do ta hedhë vështrimin mbi tokë, e ja, mjerim dhe errësirë, zymtësi ndrydhëse e mug i dendur. Por, nuk do të ketë më zymtësi, atje ku më parë kishte mjerim. Në të shkuarën vërtet e përçmoi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në të ardhmen do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, brigjet përtej Jordanit, Galilenë e kombeve. Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe, mbi ata, që banonin në vendin e territ, shkëlqeu drita. Ti e madhështove atë komb, gëzimin ia shtove, gëzojnë para teje, siç gëzojnë gjatë korrjes, siç gëzojnë kur ndajnë prenë. Se ti e theve zgjedhën që u rëndonte, purtekën që mbi shpatulla u rrinte, skeptrin e atij që i shtypte e copëtove si në ditën e Midianit. Çdo këpucë luftëtari që marshon e çdo gunë e lyer në gjak do të digjet e do të bëhet dru për zjarr. Se na lindi një fëmijë, një djalë na u dha, mbi supet e tij qëndron sundimi. Emrin do ta ketë: «Këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i amshuar, princ i paqes». I madh do të jetë sundimi i tij e paqja nuk do të ketë fund mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij. Do të zërë rrënjë e do të forcohet në të drejtë e drejtësi, që tani e deri në amshim. E këtë ka për ta bërë zelli i Zotit të ushtrive. Zoti dërgoi fjalë kundër Jakobit e ajo ra mbi Izraelin. E mori vesh mirë mbarë populli, Efraimi bashkë me banorët e Samarisë, që me krenari e mburrje në zemër thanë: «Tullat vërtet kanë rënë, por do të ndërtojmë me gurë të latuar, fiqtë vërtet na i kanë prerë, por do t'i zëvendësojmë me cedra». E Zoti ngriti kundër tyre armiqësinë e Recinit, kundërshtarët e tyre për luftë i nxiti. Arami nga lindja e filistinët nga perëndimi hapën gojën për ta përpirë Izraelin. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë. Por populli nuk u kthye tek ai që i goditi, Zotin e ushtrive nuk e kërkoi. Prandaj Zoti i preu Izraelit kokën e bishtin, degën e palmës e kallamin, në një ditë të vetme. Pleqësia e paria janë koka, profeti e mësuesi i rremë janë bishti. Udhëheqësit e këtij populli e ngashënjyen në mashtrim dhe ata që udhëhiqeshin prej tyre u çoroditën. Prandaj Zoti s'do të jetë i kënaqur me të rinjtë e tij, s'do të tregojë mëshirë për jetimët e vejushat e tij, se të gjithë janë të pafe e të paudhë, çdo gojë thotë veç marrëzi. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë. Se paudhësia është ndezur flakë si zjarri, ka përpirë ferrat bashkë me shkurret, në mes të pyllit të dendur është ndezur, shtëllunga-shtëllunga ngrihet tymi lart. Prej zemërimit të Zotit të ushtrive u përvëlua toka, populli u bë si druri që ushqen zjarrin e askush nuk kursen as vëllanë e vet. Përpin djathtas, por ende ka uri, përlan majtas, por ende nuk ngopet, secili gëlltit mishin e të afërtit të vet. Manaseu Efraimin, Efraimi Manaseun dhe tok janë kundër Judës. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë. Mjerë ata që nxjerrin rregulla paudhësie e shkruajnë ligje që përligjin shfryrëzimin, për t'u shkelur të drejtën skamnorëve, për t'u mohuar drejtësinë mjeranëve të popullit tim, për t'i bërë vejushat prenë e tyre, për t'i plaçkitur jetimët. Ç'do të bëni ditën e ndëshkimit, kur të vijë mjerimi prej së largu? Te kush do të vraponi për ndihmë, thesaret tuaja ku do t'i lini? Sepse do të gjunjëzoheni mes të burgosurve e do të bini ndër të vrarët. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë. Mjerë Asiria, thupra e zemërimit tim! Në duart e saj është shkopi i furisë sime. Kundër një kombi të pafe po e dërgoj, kundër një populli, që më zemëron, e urdhëroj, që ta plaçkitë e ta bëjë pre, që ta shkelë me këmbë si baltën e rrugës. Por ai nuk e mendon kështu, në zemër sheston tjetër gjë, ka vendosur të shfarosë, të shuajë kombe jo të pakta. E thotë: «A nuk janë prijësit e mi si mbretërit? A s'është Kalnehu si Karkemishi? A s'është Hamati si Arpadi? Si Damasku a s'është Samaria? Dora ime pushtoi mbretëritë idhujtare, ndonëse idhujt e tyre ishin më të shumtë se në Jerusalem e në Samari. A nuk do t'ia bëj Jerusalemit e idhujve të tij siç ia bëra Samarisë e idhujve të saj?». E kur Zoti ta ketë përfunduar veprën e tij në malin e Sionit e në Jerusalem, do ta ndëshkojë krenarinë e zemrës së mbretit të Asirisë e vështrimin kryeneç të syve të tij, se tha: «Veprova me fuqinë e krahut tim, me urtinë e mençurinë time. Kufijtë mes popujve i zhduka, thesaret e tyre i plaçkita, si trim i plandosa ata që ulen ndër frone. Dora ime i gjeti thesaret e popujve, si të ishin në një fole zogjsh, dhe siç mblidhen vezët e braktisura, ashtu e mblodha botën mbarë. Askush s'i hapi dot krahët për të fluturuar, askush s'e hapi sqepin për të cicëruar». A mburret sëpata para atij që me të pret? A krenohet sharra para atij që e përdor? A thua shufra e drejton atë që e mban në dorë, apo shkopi e ngre lart atë që s'është prej druri? Prandaj, Zoti, Zoti i ushtrive, mes më të fortëve të tij plagë do të dërgojë, atje ku kishte lavdi do të ndizet flaka, do të djegë si zjarri përvëlues. Drita e Izraelit do të jetë si zjarri, i shenjti i Izraelit porsi flaka, do të djegë e do të përpijë brenda ditës shkurret e ferrat e tij. Lavdisë së pyllit e të kopshtit të tij do t'ia përpijë mishin e shpirtin, si i sëmuri që lëngon për vdekje, ashtu do të mbetet. Do të mbesin aq pemë nga pylli i tij, sa t'i numërojë edhe një fëmijë. Atë ditë do të ndodhë që teprica e Izraelit dhe të mbijetuarit e shtëpisë së Jakobit nuk do të mbështeten më tek ai që i godiste, por do të mbështeten me besnikëri te Zoti, i shenjti i Izraelit. Teprica, teprica e Jakobit, do të kthehet te Perëndia i fuqishëm. E megjithatë, o Izrael, edhe nëse populli yt do të ishte si rëra e detit, vetëm teprica do të kthehej atje. Është vendosur shfarosja, që të shkojë në vend drejtësia. Urdhrin e shfarosjes e dha Zoti, Zoti i ushtrive, dhe po e zbaton në mbarë vendin. Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: «Mos ki frikë prej Asirisë, o populli im, që banon në Sion. Njëmend do të të godasë me thupër e shkopin do të ngrejë mbi ty, ashtu si Egjipti, por edhe pak e do të marrë fund, se zemërimi im do të ndizet flakë për t'i shkatërruar». Mbi të Zoti i ushtrive do të ngrejë një fshikull, ashtu siç bëri kundër Midianit te shkëmbi i Orebit. Do ta lartësojë shkopin e tij mbi det, ashtu siç bëri në Egjipt. E do të ndodhë atë ditë, që barra e tij do të hiqet prej shpatullës sate, zgjedha e tij prej qafës sate, prej të majmurit do të thyhet zgjedha e tij. Ia behu në Ajat, nëpër Migron kaloi, në Mikmas plaçkat shkarkoi. Ja, tek përshkuan shtegun, në Gebë po kalojnë natën, Ramahu po dridhet, Gibeahu i Saulit merr arratinë. Gërthit sa të kesh zë, o bija e Galimit! Dëgjo mirë, o Lajshah, përgjigju, o Anatot! Madmenahu ka marrë arratinë, banorët e Gebimit kanë ikur. Po atë ditë do të qëndrojë në Nob e do të tundë grushtin kundër malit të bijës së Sionit, kundër kodrës së Jerusalemit. Ja, Zoti, Zoti i ushtrive me dhunë do t'i presë degët, më të lartat do të priten, majat do të shkurtohen. Pyllin e dendur do ta presë me sëpatë, Libani do të bjerë me gjithë madhështinë e tij. Një degë do të dalë prej trungut të Jeseut, një filiz do të mbijë nga rrënja e tij. Në të do të prehet shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i mençurisë, shpirti i këshillës e i fuqisë, shpirti i dijes e i drojës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë droja e Zotit. Ai s'do të gjykojë sipas asaj që sheh me sy e s'do të vendosë sipas asaj që dëgjon me veshë. Skamnorët do t'i gjykojë me drejtësi e do të marrë vendime të drejta për të përulurit e tokës. Me thuprën e gojës së tij do ta godasë tokën, me frymën e buzëve të tij do ta vrasë të paudhin. Drejtësia do të jetë brezi i mesit të tij, besnikëria brezi që do të ngjeshë ijëve. Ujku do të banojë me qengjin, leopardi do të shtrihet bri kecit, viçi e këlyshi i luanit do të kullotin bashkë, fëmija i vogël do t'u prijë udhës. Lopa e arusha do të kullotin bashkë, këlyshët e tyre tok do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e gjarprit, fëmija do ta fusë dorën në strofullin e nepërkës. Nuk do të dëmtohet kush e as do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, se toka do të mbushet me dijen e Zotit, siç mbulojnë ujërat detin. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngrihet si flamur për popujt, atë do të kërkojnë kombet, e lavdishme do të jetë banesa e tij. Atë ditë Zoti do ta shtrijë sërish krahun, për të shpenguar tepricën e popullit të tij, ata që do të kenë mbetur në Asiri e në Egjipt, në Patros e në Kush, në Shinar e në Hamat, nëpër ishujt e detit. Do të ngrejë emblemën për kombet, të shpërngulurit e Izraelit do t'i mbledhë, të dëbuarit e Judës do t'i bashkojë nga të katërt anët e dheut. Smira e Efraimit do të marrë fund, armiqtë e Judës do të shfarosen, Efraimi s'do të ketë më smirë për Judën e Juda s'do ta ngucë Efraimin. Do të vërsulen mbi kurrizin e filistinëve në perëndim, popujt e lindjes bashkë do t'i plaçkitin, do ta shtrijnë krahun mbi Edomin e Moabin, bijtë e Amonit do t'u nënshtrohen. Zoti do ta shkatërrojë krejt gjirin e detit të Egjiptit, lart do ta ngrejë dorën kundër Eufratit, me zjarrminë e frymës së tij, do ta godasë e do ta ndajë në shtatë përrenj, me sandale do të kapërcehet. Do të hapet një udhë për tepricën e popullit të tij, të atyre që do të kenë mbijetuar në Asiri, ashtu siç u bë dikur për Izraelin, ditën që doli prej dheut të Egjiptit. Atë ditë do të thuash: «Të falënderoj, o Zot, ty që ishe i zemëruar me mua, se zemërimi yt ndaj meje u qetësua e ti më ngushëllove. Ja, Perëndia është shpëtimi im, besoj e nuk kam frikë. Fuqia ime e forca ime është Zoti, Zoti është shpëtimi im. Me gëzim do të mbushni ujë prej burimeve të shpëtimit». Atë ditë do të thoni: «Falënderoni Zotin, thërrisni emrin e tij, shpallni ndër popuj veprat e tij, kumtoni madhështinë e emrit të tij! Këndojini Zotit, se ka bërë mrekulli, le ta marrë vesh toka mbarë! Ngazëlleni e dëfreni, o banorë të Sionit, se i madh është mes jush i shenjti i Izraelit». Profecia kundër Babilonisë, që pa Isaia, biri i Amosit. Mbi një mal të zhveshur ngrini flamurin, lëshojuni kushtrimin e bëjuani me dorë, që të hyjnë nëpër dyert e fisnikëve. Të shenjtëruarve të mi u kam dhënë urdhër e trimat i kam thirrur, që të vënë në jetë zemërimin tim, ata që krenohen me madhështinë time. Një zë turme nëpër male, i ngjan një morie të shumtë, ushtojnë mbretëritë, kombet e bëra tok; Zoti i ushtrive po mbledh ushtrinë për të bërë luftë! Vijnë nga një vend i largët, nga skajet e qiellit vijnë Zoti dhe armët e zemërimit të tij, tokën mbarë për të shkatërruar. Vajtoni, se po afron dita e Zotit, si shkatërrim prej të gjithëpushtetshmit po vjen! Prandaj të gjitha duart po ngathen, gjithë njerëzit po i lëshon zemra. Do të tmerrohen, do të dridhen, dhimbjet do t'i pushtojnë, do të përpëliten si gruaja që lind, me tmerr do të shohin njëri-tjetrin, fytyrat do t'u përflaken. Ja, po vjen dita e Zotit, mizore dhe e furishme, plot zemërim përvëlues, për ta kthyer vendin në shkretëtirë, mëkatarët për t'ia zhbirë. Yjet e qiellit, bashkë me yjësitë, më nuk do të ndriçojnë, sapo të lindë, dielli do të erret e hëna dritë më s'do të bëjë. Do ta ndëshkoj botën për ligësinë e saj e të paudhët për fajet e tyre, do t'i jap fund mburrjes së kryelartëve, do ta hedh poshtë kryeneçësinë e gjakatarëve. Njeriu do të jetë më i rrallë se ari i kulluar, njerëzia më e rrallë se ari i Ofirit. Do ta bëj qiellin të trandet e toka do të tundet nga vendi, prej zemërimit të Zotit të ushtrive ditën e shpërthimit të furisë së tij. Do të ndodhë si me sutën që e ndjekin pas, si me delet që kanë mbetur pa bari. Gjithkush do të kthehet te populli i vet, gjithkush do t'ia mbathë drejt vendit të vet. Kush kapet, do të tejshpohet, kush zihet, do të bjerë nga shpata. Fëmijët do t'ua copëtojnë para syve, shtëpitë do t'ua plaçkitin, gratë do t'ua dhunojnë. Ja, kundër tyre do të ngre medët, të cilët argjendin nuk e çmojnë e arin nuk e dëshirojnë. Me hark do t'ua vrasin të rinjtë, për foshnjat në bark s'do të kenë mëshirë, as për fëmijët s'do të duan t'ia dinë. Babilonia, më e bukura ndër mbretëritë, lavdia e krenarisë së kaldenjve, si Sodoma e Gomorra do të bëhet, kur ta përmbysë Perëndia. Në të nuk do të rrijë më kush, e pabanuar do të jetë brez pas brezi, atje arabët nuk do të ngrenë më tenda e barinjtë s'do të ndalen me bagëtitë. Veç egërsirat e shkretëtirës do të rrinë atje, shtëpitë e tyre do të mbushen me huta, zogjtë e strucit do të gjejnë atje strehë, dhitë e egra do të hedhin valle. Në banesat e saj do të hingëllijnë hienat, çakejtë në pallatet e saj të shtrenjta. Koha e saj s'do të vonojë të vijë, ditët e saj nuk kanë për të zgjatur. Por Zoti do të ketë dhembshuri për Jakobin e do ta zgjedhë përsëri Izraelin dhe në tokën e tyre sërish do t'i vendosë. Me ta do të bashkohen edhe të huajt e do të lidhen me shtëpinë e Jakobit. Popuj të tjerë do t'i marrin izraelitët e do t'i çojnë në vendin e tyre. Atëherë shtëpia e Izraelit do t'i marrë si trashëgimi në tokën e Zotit e do t'i bëjë shërbëtorë e shërbëtore për vete. Ata që i patën robëruar do të bëhen robërit e tyre dhe izraelitët do të sundojnë mbi ata që dikur i sundonin. Kur Zoti të të ketë çliruar prej vuajtjes, prej mjerimit e prej skllavërisë së rëndë, nën zgjedhën e së cilës ishe, do të thuash këtë fjalë shpotitëse kundër mbretit të Babilonisë: Si mbaroi kështu tirani? Si mori fund shtypja? Zoti e theu shkopin e të paudhëve, skeptrin e tiranëve e copëtoi, që i godiste popujt me furi, që i gjuante pa pushim, që me zemërim i nënshtronte kombet, që i përndiqte pa mëshirë. E qetë prehet toka mbarë, brohorasin kudo me gëzim. Për ty gëzojnë edhe bredhat, gëzojnë cedrat e Libanit: «Që atëherë kur u shove ti, s'erdhi më kush për të na prerë!». Edhe skëterra poshtë për ty u vu në lëvizje, ardhjen tënde duke pritur, për ty i ngriti hijet e të vdekurve, të gjithë ata që dikur sundonin tokën, prej froneve të tyre i bëri të ngrihen gjithë mbretërit e kombeve. Të gjithë do të marrin fjalën. «U këpute edhe ti si ne», do të thonë, «Edhe ti u bëre njëlloj si ne». Në skëterrë u plandos madhëria jote, bashkë me tingëllimën e harpave të tua, krimbat do të kesh tani për shtrojë, vemjet për mbulesë. Po si re prej qiellit, o dritësjellës, ti, o biri i agimit? U përplase përdhe edhe ti, ti që mbi kombet ngadhënjeje. Në zemër ti thoshe: «Në qiell kam për t'u ngjitur, fronin mbi yjet e Perëndisë do ta ngre. Do të ulem mbi malin e tubimit, atje në skaj të veriut. Do të ngjitem përsipër reve, do të bëhem si i Tejlarti». Por, ja që je plandosur në skëterrë, në skajin më të thellë të gropës. Kush të sheh, sytë t'i ngul, me vëmendje të vështron: «A nuk është ky ai që trandte tokën, që i bënte mbretëritë të dridheshin? Ai që botën shkretëtirë e bëri, që qytetet ia rrafshoi e të burgosurit kurrë nuk i liroi?». Tërë mbretërit e kombeve, të gjithë prehen me lavdi, secili në varrin e vet. Por ty të kanë flakur jashtë varrit, si atë degën e kalbur, i mbështjellë me të therurit, me të shpuarit nga shpata, të hedhur mbi pllakat e varrit, si kufomë shkelur me këmbë. Ti nuk do të varrosesh si ata, se vendin tënd e ke shkretuar, e popullin tënd e ke shfarosur. Fara e keqbërësve nuk do të përmendet më kurrë. Bëni gati shfarosjen për bijtë e tij, për paudhësinë e etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën, që të mos mbushin më faqen e dheut. Do të ngrihem kundër tyre, kumton Zoti i ushtrive, Babilonisë do t'ia shfaros emrin, bashkë me ç't'i ketë mbetur, me farë e me fis, kumton Zoti, do ta bëj fole iriqësh, do ta kthej në moçal. Do ta fshij me fshesë shkatërrimi, kumton Zoti i ushtrive. Zoti i ushtrive është betuar: përnjëmend, siç e mendova, ashtu do të ndodhë, siç e shestova, ashtu do të jetë. Do ta mposht Asirinë në tokën time, në malet e mia do ta shkel me këmbë. Zgjedha e saj do të hiqet prej tyre, barra e saj do t'u bjerë prej shpatullave. Ky është vendimi i marrë kundër mbarë tokës, ky është krahu i shtrirë mbi mbarë kombet! Sepse kështu vendosi Zoti i ushtrive, kush mund të kundërshtojë? Krahu i tij është shtrirë tashmë, kush mund t'ia kthejë pas? Vitin që vdiq mbreti Ahaz, u bë kjo profeci: mos u gëzo ti, o Filiste e tërë, se u thye shkopi që të rrihte. Nga rrënja e gjarprit do të dalë nepërka e pjella e tij do të jetë dragua fluturues. Të parëlindurit e skamnorëve do të kenë ç'të hanë e të varfrit do të pushojnë në qetësi. Me uri do ta zhbij rrënjën tënde e ç'të ketë mbetur prej teje do të vritet. Vajto, o portë! Jepja gjëmës, o qytet! Dridhu ti, o Filiste e tërë, se po vjen tymi nga veriu e nga radhët e tij s'ikën kush. E ç'përgjigje do t'u japin lajmëtarëve të kombeve? «Sionin e ka themeluar Zoti. Në të do të gjejnë strehim të mjerët e popullit të tij». Profeci për Moabin: natën u rrënua Ar Moabi, krejt u shkatërrua; natën u rrënua Kir Moabi, krejt u shkatërrua! Shkuan në tempull për të qarë, Diboni u ngjit te faltorja në vend të lartë, për Nebonë e për Medebën vajton Moabi, të gjitha kokat janë rruar, të gjitha mjekrat janë prerë. Nëpër udhët e tij janë veshur me grathore, nëpër pullazet e nëpër sheshet e tij të gjithë kanë filluar kujën, të gjithë po shkrihen në vaj. Heshboni dhe Elealehu po vënë gjëmën, vajtimi i tyre dëgjohet deri në Jahac, prandaj këlthasin luftëtarët e Moabit, u dridhet shpirti nga frika. Zemra ime vajton për Moabin, të ikurit e tij kanë mbërritur deri në Coar deri në Eglat Shlishijah, përpjetës së Luhitit ngjiten e vajtojnë, rrugës së Horonaimit kujë therëse lëshojnë. Ja, ujërat e Nimrimit shterën, bimësia u tha, bari u zhbi, gjelbërim nuk ka më. Prandaj, pasuritë e të mirat që mblodhën po i mbartin përtej përroit të Shelgjeve. U përhap britma në viset e Moabit, vajtimi i tij deri në Eglaim, gjëma e tij deri në Ber Elim. Ujërat e Dimonit janë mbushur me gjak. Por do t'ia shtoj të këqijat Dimonit: një luan për të ikurit e Moabit për ata që do të kenë mbetur në vend. Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Selau i shkretëtirës në malin e bijës së Sionit. Porsi shpendi që rreh krahët, kur e dëbojnë nga foleja, ashtu do të jenë bijat e Moabit, nëpër vatë e Arnonit. Jep këshillë, merr vendim! Në mesditë hijen tënde bëje porsi natën! Fshihi të ikurit, mos i tradhto të arratisurit! Le të gjejnë strehim te ti të dëbuarit e Moabit, ji për ta strehim prej shfarosësit! Se tirani mori fund, shkatërrimi reshti, shtypësi u zhduk prej vendit. Do të ngrihet një fron me themelet në mirësi, me besnikëri do të ulet në tendën e Davidit një gjykatës që do të kërkojë drejtësi, i zellshëm për të dhënë të drejtën. Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit, vërtet shumë krenar, për krenarinë, kryeneçësinë e kokëfortësinë e tij, por madhështia e tij është e kotë. Prandaj Moabi do të vajtojë për Moabin, i gjithi do të shkrihet në vaj, për bukët me rrush të Kir Haresetit, i dëshpëruar kujën do të vërë. Ja, fushat e Heshbonit u shkretuan bashkë me vreshtin e Sibmahut. Sunduesit e kombeve ia shkatërruan shermendet që shtriheshin deri në Jazer, degët nëpër shkretëtirë gjarpëronin e deri përtej detit të Vdekur kalonin. Prandaj, bashkë me vajtuesit e Jazerit vreshtin e Sibmahut do të vajtoj. Do të të përmbyt me lotët e mi, ty, o Heshbon, dhe ty, o Elealeh, se mbi të korrat e mbi të vjelat e tua ra gjëma. U zhduk gëzimi e hareja prej fushave pjellore, nëpër vreshta s'dëgjohet as këngë, as brohori, nuk ka më verë nëpër torqe, nuk ka mbetur kush për ta shtrydhur, britmave të gëzimit u ka ardhur fundi. Prandaj gjithçka përbrenda meje dridhet për Moabin porsi harpa, tërë qenia ime për Kir Heresin. Më kot do të mundohet Moabi, te faltorja në vend të lartë për t'u ngjitur, do të hyjë në shenjtërore për t'u lutur, por nuk do të ketë kurrfarë dobie. Kjo është fjala që tha Zoti dikur për Moabin. E tani kështu thotë Zoti: «Brenda tre vjetëve, vitet e një punëtori me mëditje, do të zhduket lavdia e Moabit, me gjithë popullin e tij të shumtë. Do të mbetet vetëm një pakicë e vogël dhe e pafuqishme». Profeci për Damaskun. Damasku s'do të jetë më qytet, grumbull rrënojash do të bëhet. Qytezat e Aroerit do të braktisen, do të kthehen në kullotë për bagëtitë, aty do të shtrihen tufat e askush s'do t'i trazojë. Efraimi do të humbasë fortesat, Damasku mbretërinë. Teprica e Aramit si lavdia e Izraelit do të jetë, kumton Zoti i ushtrive. Atë ditë lavdia e Jakobit do të mpaket, dhjami i trupit do t'i tretet. Do të ndodhë si me korrësin që me një dorë korr grurin e me tjetrën mbledh kallinjtë. Do të ndodhë ashtu siç mblidhen kallëzat në luginën e Refaimit. Do të mbesë ndonjë kallëz në të, sikurse shkundet pema e ullirit, që mbesin dy a tre kokrra në majë, katër a pesë në degët e saj, kumton Zoti, Perëndia i Izraelit. Atë ditë njeriu do të shikojë nga krijuesi i vet, sytë e tij do të vështrojnë të shenjtin e Izraelit. Nuk do t'i drejtojë më sytë nga altarët që punoi me duart e me gishtat e vet, nuk do të vështrojë më shtyllat e Asherave apo altarët ku digjet temjani. Atë ditë qytetet e tua të fortifikuara, do të kthehen në vende të shkreta, siç i braktisën hivitët e amoritët për shkak të izraelitëve. Do të mbetet veç shkretim! Se e harrove Perëndinë, shpëtimtarin tënd, shkëmbin e strehimit tënd nuk e kujtove. Prandaj edhe ke mbjellë pemë të këndshme, ke shartuar me fidanë të huaj. Ditën që i mbjell, i sheh të rriten, në mëngjes fara që hodhe lulëzon, por korrja shuhet në ditë të ligë, prej plagës së pashërueshme. Mjerë! Ja, uturimë popujsh të shumtë; ushtojnë siç ushtojnë detet. Ja, ulërima e kombeve; ulërijnë si oshtima e ujërave të shumtë. Do të gjëmojnë kombet, ashtu siç buçasin ujërat e shumtë, por sapo t'i kërcënojë Zoti, do të marrin arratinë, do të ikin larg, të dëbuar si kashta kur e merr era maleve, si pluhuri në vorbullën e stuhishme. Aty nga mbrëmja, u ka hyrë tmerri! Para agimit, nuk janë më! Ky është fundi i atyre që na plaçkitën, ky është fati i atyre që na bastisën. Mjerë ti, o tokë me flatra zukatëse, përtej lumenjve të Kushit, që nëpër det dërgon lajmëtarë. Lundrojnë ata me lundra xunkthi. Shkoni shpejt, o lajmëtarë, drejt popullit shtatlartë e lëkurëbutë, drejt popullit që ia kanë frikën këtu e kudo, popull shumë i fortë e ngadhënjimtar që tokën lumenjtë ia çajnë. Të gjithë ju, o banorë të botës, e ju që mbi tokë banoni, kur të jetë ngritur flamuri mbi male, shikoni, kur të dëgjohet tingulli i borisë, dëgjoni! Se kështu më tha Zoti: «I qetë do të vrojtoj nga banesa ime, si i nxehti verbues në dritë, porsi reja e vesës në vapën e korrjes». Se para korrjes, sapo të ketë mbaruar lulëzimi e vilet e rrushit të jenë pjekur mirë, me kizë do t'ia presë shermendet, do t'ia këpusë lastarët e do t'ia flakë. Të gjithë do t'u lihen shpendëve të malit, do t'u lihen egërsirave të tokës. Në vendin e tyre do ta kalojnë verën grabitqarët, egërsirat e tokës do të kalojnë dimrin. Do t'i sjellin në atë kohë Zotit të ushtrive dhurata prej një populli shtatlartë e lëkurëbutë, prej një populli që ia kanë frikën këtu e kudo, popull shumë i fortë e ngadhënjimtar që tokën lumenjtë ia çajnë. Do t'ia sjellin në vendin e emrit të Zotit të ushtrive, në malin e Sionit. Profeci për Egjiptin: ja Zoti tek kalëron vrik përmbi re dhe në Egjipt ja tek hyn! Dridhen para tij idhujt e Egjiptit, egjiptianëve u shtrëngon zemra në kraharor. Do t'i nxit egjiptianët kundër egjiptianëve, vëllai do të luftojë kundër vëllait e i afërti kundër të afërtit, qyteti kundër qytetit e mbretëria kundër mbretërisë. Egjiptianëve do t'u drithërohet shpirti, synimet do t'ua pështjelloj. Do të këshillohen me idhuj e me shortarë, me shpirtra të vdekurish e me magjistarë. Do ta lë Egjiptin në dorë sunduesish mizorë, një mbret i ashpër do të sundojë mbi ta, kumton Zoti, Zoti i ushtrive. Ujërat e detit do të thahen, lumi do të shterë e do të soset. Përrenjtë do të qelben erë, rrëketë e Egjiptit do të shteren, do të mbesin pa ujë, kallami e xunkthi do të fishken. Xunkthi i lumit, që rritet brigjeve të tij, bashkë me gjithë arat e mbjella përgjatë tij, do të vyshken e do të thahen e më nuk do të jenë. Peshkatarët do të qajnë e do të vajtojnë, të gjithë ata që hedhin grepin në lumë, ata që hedhin rrjetat në ujë do t'i zërë mjerimi. Do të turpërohen punuesit e lirit, lënurësit dhe endësit e pambukut. Themelet e tij do të tronditen e të gjithë mëditësve do t'u këputet shpirti. Sa të marrë janë prijësit e Coanit! Këshilltarët më të urtë të faraonit këshilla të marra u dhanë. Si mund t'i thoni faraonit: «Pasardhës i të urtëve jam unë, bir i mbretërve të hershëm?». Ku janë, pra, të urtët e tu? Le të ta thonë, atëherë, le të ta bëjnë me dije, se ç'ka vendosur t'i bëjë Egjiptit Zoti i ushtrive. Janë marrosur prijësit e Coanit, gabohen prijësit e Memfisit. Egjiptin e kanë mashtruar krerët e fiseve të tij. Zoti ka dërguar mes tyre një frymë që i ka pështjelluar, prandaj e kanë mashtruar Egjiptin në çdo gjë që ka bërë, ashtu siç zhgërryhet i dehuri në të vjellat e veta. Egjipti s'do të mund të bëjë kurrgjë, as koka e as bishti i tij, as palma e as xunkthi. Atë ditë egjiptianët do të bëhen si gra, do të dridhen e do të tmerrohen prej vringëllimës së dorës së Zotit të ushtrive që do të ngrihet kundër tyre. Toka e Judës do të kthehet në tmerr për Egjiptin. Kushdo që do ta kujtojë, do të dridhet nga frika, për shkak të asaj që Zoti i ushtrive ka vendosur të bëjë kundër tij. Atë ditë do të jenë pesë qytete në tokën e Egjipti që do të flasin gjuhën e Kanaanit e që do të betohen për Zotin e ushtrive. Njëri prej atyre qyteteve do të quhet Ir Heres. Atë ditë, në mes të tokës së Egjiptit do të ketë një altar kushtuar Zotit dhe një përmendore për Zotin do të jetë në kufi. Kjo do të jetë për të gjithë tokën e Egjiptit shenjë dhe dëshmi për Zotin e ushtrive. Do t'i thërrasin Zotit, kur të jenë të shtypur, e ai do t'u dërgojë një shpëtimtar që do t'i mbrojë e do t'i çlirojë. Zoti do t'i dëftehet Egjiptit dhe atë ditë egjiptianët do ta pranojnë Zotin. Do ta adhurojnë, do t'i kushtojnë fli e dhurata, do të zotohen para Zotit e do t'i përmbushin zotimet. Zoti do ta godasë rëndë Egjiptin, por edhe do ta shërojë. Egjiptianët do të kthehen te Zoti. Ai do t'i dëgjojë lutjet e tyre e do t'i shërojë. Atë ditë do të ketë një rrugë të gjerë nga Egjipti në Asiri. Asirianët do të shkojnë në Egjipt dhe egjiptianët në Asiri. Egjiptianët do t'i shërbejnë Zotit bashkë me asirianët. Atë ditë, Izraeli do të jetë i treti bashkë me Egjiptin e me Asirinë dhe do të jetë bekim për tokën. Zoti i ushtrive do ta bekojë tokën e do të thotë: «Bekuar qoftë Egjipti, populli im, Asiria, vepra e duarve të mia, dhe Izraeli, trashëgimia ime». Në vitin kur Sargoni, mbreti i Asirisë, dërgoi në Ashdod një kryekomandant, ai e sulmoi Ashdodin dhe e pushtoi. Në atë kohë Zoti foli përmes Isaisë, birit të Amosit, e tha: «Shko, hiq grathoren nga ijët e zbath sandalet nga këmbët». Dhe ashtu bëri, eci lakuriq e zbathur. Atëherë Zoti tha: «Ashtu si shërbëtori im, Isaia, eci lakuriq e këmbëzbathur për tre vjet, si shenjë e si paralajmërim për Egjiptin e për Kushin, ashtu do t'i degdisë edhe mbreti i Asirisë robërit e Egjiptit, bashkë me të dëbuarit e Kushit, të rinj e pleq, lakuriq, të zbathur e me vithet jashtë, për turp të Egjiptit. Atëherë do të tmerrohen e do të turpërohen për shkak të Kushit, shpresës së tyre, e për shkak të Egjiptit, krenarisë së tyre. Atë ditë banorët e këtij bregdeti do të thonë: “Ja, kjo ishte shpresa jonë, vendi ku u strehuam për të gjetur ndihmë e për të shpëtuar prej mbretit të Asirisë. Po tani, si do të shpëtojmë?”». Profeci kundër shkretëtirës së detit: ashtu si furtunat fshikullojnë Negevin, ashtu do të vijë nga shkretëtira, nga ai vend i tmerrshëm. Një vegim i tmerrshëm m'u dëftua: një tradhtar po tradhton, një shkatërrimtar po shkatërron. Vërsulu, o Elam! Rrethoje, o Madai! Po i jap fund çdo rënkimi në të! Prandaj po më dridhen ijët, më kanë zënë dhimbjet si të lindjes, dridhem i tëri nga ç'dëgjoj, tmerrohen nga ç'më shohin sytë. Më lëshoi zemra, më pushtuan drithërimat, muzgu, që fort e dëshiroja, më është bërë tmerr. Bëhet gati tryeza, shtrohet qilimi, hahet e pihet. Ngrihuni, o prijës, lyejeni shqytin! Se kështu më tha Zoti: «Shko e vër një vrojtues, që të lajmërojë çka sheh. Po të shohë qerre lufte, kalorës dyshe-dyshe, kalorës hipur mbi gomarë, kalorës hipur mbi deve, le t'i hapë sytë mirë, le të vrojtojë me shumë kujdes». E ja, vrojtuesi bërtiti: «O Zot, tërë ditën kam vrojtuar pa lëvizur, tërë natën kam qëndruar në vendrojë. Por ja, po vijnë qerre lufte, kalorës dyshe-dyshe. Ra, ra Babilonia», do të thotë, «Gjithë idhujt e hyjnive të saj janë bërë copë e çikë përtokë». O shirja ime! O biri i lëmit tim! Çka dëgjova prej Zotit të ushtrive, Perëndisë së Izraelit, atë ju dëfteva. Profeci për Dumahun: nga Seiri po më thërret dikush: «Roje, edhe sa natë ka mbetur? Roje, edhe sa natë ka mbetur?». «Po vjen mëngjesi», thotë roja, «Por po vjen edhe nata. Nëse doni të pyesni, pyesni, por kthehuni edhe një herë!». Profeci për Arabinë: nëpër kaçubat e Arabisë do ta kaloni natën, o varganet e dedanëve! Dilini përpara të eturit, sillini ujë, o banorë të tokës së Temait! Dilini përpara me bukë të arratisurit! Se kanë marrë arratinë prej shpatës, prej shpatës së zhveshur, prej harkut të ndehur, prej furisë së betejës. Se kështu më tha Zoti: «Pas një viti, vit i një punëtori me mëditje, tërë madhështia e Kedarit do të marrë fund. I vogël do të jetë numri i harkëtarëve të mbetur, i luftëtarëve të Kedarit, sepse ka folur Zoti, Perëndia i Izraelit». Profeci për luginën e Vegimit: ç'të ka ndodhur, pra, që ke hipur i gjithi mbi çati, ty, o qytet plot zhurmë, qytet i trazuar, qytet plot gëzim? Të vdekurit e tu s'i vrau shpata, në luftë ata nuk ranë. Të gjithë prijësit e tu ia mbathën, u zunë robër e hark nuk kishin. Ç'kishte mbetur te ti u kap, u robërua pa shkuar larg. Prandaj po ju them: «Largojini sytë nga unë, do të qaj plot hidhërim. E mos kërkoni të më ngushëlloni për shkatërrimin e bijës së popullit tim». Se kjo ditë e Zotit, Zotit të ushtrive, është ditë tmerri, shkatërrimi e zvetënimi. Në luginën e Vegimit u shemb muri, britma për ndihmë dëgjohen maleve. Elami rroku kukurën, me qerre e me kalorës, Kiri e nxori shqytin. Luginat e tua më të mira me qerre e me kalorës u mbushën. Përballë portës janë rreshtuar e Judës i është hequr mburoja. Atë ditë i hodhët sytë nga armët e Pallatit të Pyllit. Patë sa të shumta ishin të çarat e mureve në qytetin e Davidit dhe mblodhët ujërat e pellgut të poshtëm. Numëruat shtëpitë e Jerusalemit e shembët shtëpi për të përforcuar muret. Mes dy mureve ndërtuat një ujëmbajtës, për të mbajtur ujin e pellgut të vjetër, por nuk i hodhët sytë nga ai që e kishte bërë, nuk e patë atë që e sendërgjoi qëmoti. Ju thirri atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, që të qanit e të vajtonit, që kokat tuaja t'i rruanit e me grathore të ngjisheshit. Por jo! Gëzonit e dëfrenit, thernit qe e hanit dhen, hanit mish e pinit verë. «Të hamë e të pimë», thoshit, «Se nesër do të vdesim». Por Zoti i ushtrive më ka thënë në vesh: «Kjo paudhësi nuk do të shlyhet, deri kur të vdisni», thotë Zoti, Zoti i ushtrive. Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: Ngrihu e shko tek oborrtari Shebna që është kujdestari i pallatit. «Ç'do ti këtu?», thuaji. «Kë ke tëndin këtu, që je duke hapur varr?». Ke latuar në lartësi varrin tënd, ke gdhendur në shkëmb banesën tënde. Por ja, Zoti do të të vërvitë me dhunë, o njeri, e do të të mbërthejë mirë. Do të të mbështjellë mirë e mirë si lëmshin, me të dyja duart do të të vërvitë si topin në fushë, atje ke për të vdekur, atje do të marrin fund qerret e tua të lavdishme, o turpi i shtëpisë së zotërinjve të tu! Do të të dëbojë nga detyra, do të të plandosë nga rangu. Atë ditë do të thërras shërbëtorin tim, Eliakimin, birin e Hilkiahut. Do ta vesh me petkun tënd, me brezin tënd do ta ngjesh, pushtetin tënd do t'ia jap atij. Do të jetë atë për banorët e Jerusalemit e për shtëpinë e Judës. Mbi supe do t'i vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s'do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s'do të çelë. Do ta ngul si kunjin në tokë të fortë, froni i tij do të jetë lavdi për shtëpinë e atit të tij. Prej tij do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij, filizat e rinj e tërë degët, të gjitha enët e vogla, nga kupat deri te qypat e çdo lloji. Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do të hiqet kunji i ngulur në tokë të fortë, do të këputet e do të bjerë, gjithçka e varur tek ai do të copëtohet, se kështu ka folur Zoti. Profeci për Tirin: vajtoni, o anijet e Tarshishit, se u shkretua vendi ku strehoheshit. U është dhënë lajmi, teksa vinin prej tokës së Kitimit. Heshtni, o banorë të bregdetit, mbushur plot me tregtarë të Sidonit, që detin me anije përshkonin. Përmes ujërave të mëdha vinte drithi i Shihorit, prodhimet e Nilit të sillnin fitim, te ti bëhej tregtia e kombeve. Turpërohu, o Sidon, se ka folur deti, fortesa e detit ja se ç'ka thënë: «S'i kam provuar dhimbjet e lindjes, kurrë s'kam pjellë, nuk kam rritur as djem, as vajza». Kur ta dëgjojnë këtë në Egjipt, do të hidhërohen për lajmet që vijnë nga Tiri. Kaloni detin për në Tarshish, vajtoni, o banorë të bregdetit! Ky na qenka vallë qyteti juaj i lavdishëm, që fillimet i ka prej lashtësisë, që këmbët larg e kanë çuar, vendbanime të reja për të themeluar? E kush e sendërgjoi këtë kundër Tirit, shpërndarësit të kurorave? A nuk ishin tregtarët e tij princa dhe shitësit fisnikëria e vendit? Këtë e vendosi Zoti i ushtrive, që të përdhosë çdo krenari, që të poshtërojë çdo madhështi e të përbuzë gjithë fisnikët e dheut. Punoje tokën tënde, o bija e Tarshishit, siç punojnë brigjet e Nilit, se port më nuk ke. Dorën e shtriu përmbi det, mbretëritë i tronditi, për Kanaanin urdhëroi Zoti, që fortesat e tij të shkatërrohen. «Nuk do të gëzosh më, o bijë e Sidonit», tha. «Ti, o virgjëreshë, që ke humbur nderin, Ngrihu e kalo në Kitim, por as atje prehje s'do të gjesh». Ja, toka e kaldenjve, popull që nuk është më! Asiria e bëri banesë egërsirash. Ngritën rreth tyre kulla rrethimi, pallatet e tyre i zhveshën, në pirgje rrënojash i kthyen. Vajtoni, o anije të Tarshishit, se u shkretua vendi ku strehoheshit. Atë ditë do të ndodhë që Tiri do të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa zgjat sundimi i një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetësh, me Tirin do të ngjajë siç thotë kënga e lavires: «Merre harpën e bjeri përreth qytetit, ti, o lavire, e lënë në harresë. Bjeri bukur harpës, merrja fort këngës, që të kujtohen për ty». Pas shtatëdhjetë vjetësh Zoti do të kujtohet sërish për Tirin. Tiri do t'i rikthehet tregtisë e do të kurvërojë me të gjitha mbretëritë që janë mbi faqen e dheut. Por të ardhurat e përfitimet do t'i shenjtërohen Zotit. Nuk do të grumbullohen e as do të ruhen, sepse fitimi do t'u takojë atyre që banojnë pranë Zotit, që të hanë sa të ngopen e të vishen sa më bukur. Ja, Zoti po e shkatërron tokën, të shkretë po e bën, faqen e saj po e shëmton, banorët po ia hapërdan. Do t'i ndodhë e njëjta gjë popullit e priftit, shërbëtorit e zotërisë, shërbëtores e zonjës, blerësit e shitësit, huadhënësit e huamarrësit, atij që jep e atij që merr. Toka do të shkatërrohet krejt, pa mëshirë do të plaçkitet, se këtë fjalë e ka thënë vetë Zoti. Në zi është toka, lëngon ajo, po venitet bota, po lëngon, lëngojnë edhe fisnikët e popullit të dheut. Prej banorëve të saj është ndotur toka, sepse ligjet i kanë shkelur, rregullat i kanë shpërfillur, besëlidhjen e amshuar e kanë thyer. Prandaj e ka përpirë tokën mallkimi e banorët e saj vuajnë ndëshkimin. Prandaj po shuhen banorët e tokës e kanë mbetur kaq pak njerëz. Vajton mushti, lëngon vreshti, rënkojnë gjithë sa u gëzonte zemra. Reshti hareja e dajres, u ndal brohoritja e kremtuesve, ëmbëlsia e harpës pushoi. S'pinë më verë duke kënduar, e hidhur është pija për atë që e pi. Qyteti i rrënuar u shkatërrua krejt, u mbyll çdo shtëpi, që të mos hyjë kush. Ankohen nëpër sheshe se nuk ka verë, gëzimi është errur, hareja e tokës është zhdukur. Në qytet ka mbetur veç rrënimi, porta është thyer e është copëtuar. Se kështu do të ndodhë në tokë, midis popujve do të ngjajë, sikurse me ullirin kur shkundet, siç mblidhen kokrrat pas vjeljes. Zërin do ta ngrenë, për madhështinë e Zotit do të këndojnë, nga deti do të brohorasin. Prandaj lavdërojeni Zotin në lindje, në ujdhesat e detit emrin e Zotit, Perëndisë së Izraelit. Në skajet e tokës dëgjojmë lavde. «Lavdi të drejtit!», thonë. Por unë thashë: «I gjori unë! I shkreti unë! I mjeri unë!». Të pabesët kanë thyer besën, të pabesët kanë vepruar me pabesi. Tmerri, gropa e laku valëviten mbi ty, o banor i tokës! Kush do të shpëtojë nga tmerri, do të bjerë në gropë dhe atë që do të dalë nga gropa, do ta zërë laku, se do të hapen kanatet e qiellit e do të tranden themelet e tokës. Thellë do të çahet toka, dheu do të kriset krejt, bota do të trandet fort. Do të dridhet pareshtur si i dehuri, do të lëkundet si kasollja. Rëndë peshon mbi të paudhësia, do të bjerë e s'do të ngrihet më. Atë ditë do t'i ndëshkojë Zoti ushtritë qiellore atje lart në lartësi e mbretërit e tokës këtu mbi dhe. Do të mblidhen bashkë, do të burgosen në gropë, në burg do të mbyllen e pas shumë ditësh do të ndëshkohen. Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli, se në malin e Sionit e në Jerusalem Zoti i ushtrive do të mbretërojë, dhe lavdia e tij do të shkëlqejë para pleqësisë. O Zot, ti je Perëndia im, ty të madhëroj, emrin tënd përlëvdoj, se i përmbushe qëllimet e tua të mrekullueshme, që nga lashtësia ato janë fort të besueshme. Qytetin e ktheve në pirg gërmadhash, qytezën e fortifikuar në rrënojë. Kështjella e të huajve s'është më qytet e s'do të rindërtohet më kurrë. Prandaj populli i fortë të lavdëron, qyteti i kombeve të tmerrshme të ka frikë. Ti ke qenë streha e skamnorit, vendstrehimi i të varfrit në pikëllim, streha kundër stuhisë, hija kundër të nxehtit, sepse furia e gjakatarëve është si stuhia që përplaset në mur, është si i nxehti në tokë të djegur. Poteren e të huajve do ta nënshtrosh, si të nxehtin me hijen e reve, këngën e gjakatarëve do ta fashitësh. Zoti i ushtrive do të bëjë mbi këtë mal një gosti me mish të majmë për të gjithë popujt, një gosti me verëra të vjetra, plot me mish të majmë e me palcë, me verëra të vjetra e të zgjedhura. Mbi këtë mal do ta shqyejë velin, që fytyrën e gjithë popujve mbulonte, velin e shtrirë mbi të gjitha kombet. Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Perëndi do t'i thajë lotët nga çdo fytyrë, do t'ia heqë qortimin popullit të tij në mbarë tokën, se kështu ka thënë Zoti. «Ja, ky është Perëndia ynë!», do të thuhet atë ditë. «Tek ai kemi shpresuar e ai na shpëtoi. Ky është Zoti, tek i cili kemi shpresuar, le të gëzojmë e të ngazëllejmë për shpëtimin e tij». Ja, dora e Zotit mbi këtë mal do të prehet! Nën të Moabi do të dërrmohet, siç shtypet kashta në gropë të plehut. Në mes të tij duart do t'i shtrijë, siç i shtrin notari kur noton, krenaria e tij do të përulet, me gjithë rropatjen e duarve të tij. Fortesat e mureve të tua mbrojtëse ai do t'i shkatërrojë, do t'i rrafshojë, do t'i hedhë përdhe, pluhur do t'i bëjë. Atë ditë në tokën e Judës kjo këngë do të këndohet: qytetin e kemi të fortë, të ndërtuar për shpëtimin tonë, me mure e me bedena. Hapini dyert, që të hyjë kombi i drejtë, kombi që qëndron besnik. Synimet e tij nuk luhaten dhe ti e mban në paqe, e mban në paqe, se ka shpresuar te ti. Kini përherë shpresë te Zoti, se Zoti, Zoti është shkëmbi i amshuar. Ai i përuli ata që rrinin lart, qytezën që ndodhej në lartësi e rrëzoi, e plandosi përtokë, në pluhur e hodhi. E shkelin me këmbë, e shkelmojnë këmbët e skamnorëve, e shtypin hapat e të varfërve. Udha e të drejtit është e sheshtë; ti ia sheshon udhën të drejtit, o i drejtë! Kemi pritur udhën e gjykimeve të tua, o Zot, shpirti ynë ka dëshiruar emrin e kujtimin tënd! Të dëshiron shpirti im natën, fryma ime përbrenda të kërkon. Kur të zbatohen gjykimet e tua në tokë, banorët e botës do të mësojnë drejtësinë. Po t'i jepet mëshirë të paudhit, drejtësinë s'ka për ta mësuar, në një vend të ndershëm të keqen do të bëjë, madhështinë e Zotit s'ka për ta parë. Dora jote është ngritur, o Zot, por ata s'e shohin. Do të shohin zellin tënd për popullit tënd e do të turpërohen, zjarri i armiqve të tu ka për t'i përpirë. O Zot, ti do të na japësh paqen, se çdo vepër tonën, ti e ke kryer. O Zot, Perëndia ynë, të tjerë sundues, e jo ti, na kanë sunduar, por ne kujtojmë vetëm emrin tënd. Të vdekurit nuk do të jetojnë më, hijet më nuk do të ngrihen, prandaj ti i ndëshkove e i zhbive, kujtimin e tyre e shkatërrove. E ke shtuar kombin, o Zot, kombin e ke shtuar; u bëre i lavdishëm, tërë kufijtë e vendit i zgjerove. Ty, o Zot, të kërkuan në fatkeqësi, ty t'u përgjëruan, kur i ndëshkoje. Si shtatzëna, kur i vjen koha për të lindur, kur përpëlitet e bërtet nga dhimbjet, ashtu kemi qenë para teje, o Zot. Ishim ngjizur, kishim dhimbje, si të ishim gati për të lindur, por pollëm erë, tokës shpëtim s'i sollëm e as banorë të tjerë botës nuk i lindëm. Por të vdekurit e tu do të jetojnë sërish, kufomat do të ringjallen. Ngrihuni e brohoritni, o ju që dergjeni në pluhur! Se vesa jote është vesë drite dhe tokën e hijeve ti e sjell në jetë. Përpara, o populli im, hyr në dhomat e tua! Mbylle derën pas teje e fshihu për pak kohë, sa të kalojë zemërimi. Se, ja, Zoti po del prej banesës, për të ndëshkuar paudhësinë që bënë kundër tij banorët e tokës. Do ta nxjerrë në shesh toka gjakun e derdhur e më s'do t'i fshehë të vrarët e saj. Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e vet të mprehtë, të madhe e të fuqishme Leviatanin, gjarprin dredharak, Leviatanin, gjarprin dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin e detit. Atë ditë, vreshtit të ëmbël këndojini! Vetë unë, Zoti, e ruaj, në kohën e duhur e ujis, dhe, që të mos e dëmtojë askush, ditë e natë bëj roje. I zemëruar nuk jam. Po të më vinin ferra e gjemba, do të marshoja për të luftuar kundër tyre, në flakë krejt do t'i digjja. Por kush do të kërkojë mbrojtjen time, do të bëjë paqe me mua, po, do të bëjë paqe me mua. Në të ardhmen Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë e do të çelë sytha, frutat do ta mbushin faqen e dheut. A mos i ra vallë Izraelit, aq sa u ra atyre që i binin atij? A mos u vranë vallë, aq sa u vranë ata që e vrisnin? E ndëshkoi duke e dëbuar, padi kundër tij ngriti, me frymën e tij të fuqishme e degdisi, në ditën e erës së furishme nga lindja. Kështu do të shlyhet paudhësia e Jakobit, ky do të jetë fryti i faljes së mëkatit të tij, kur t'i kthejë tërë gurët e altarit në pluhur gëlqereje të shuar, kur shtyllat e Asherave dhe altarët e temjanit të mos ngrihen më kurrë. Qyteti i fortifikuar i shkretë do të mbetet, pa banorë e i braktisur si shkretëtira. Aty do të shkojnë të kullotin viçat, aty do të shtrihen e degë do të hanë. E kur degët të thahen e të këputen, do t'i marrin gratë për të ndezur zjarr, se ky popull nuk ka fare mençuri, prandaj ai që e bëri, s'do të ketë për të dhembshuri, ai që i dha trajtë, nuk do të ketë për të mëshirë. Atë ditë Zoti do t'i shijë kallëzat, që nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, ndërsa ju një nga një do të mblidheni, o bij të Izraelit! Atë ditë do të bjerë boria e madhe e do të vijnë të hapërdarët në tokën e Asirisë, bashkë me të dëbuarit në dheun e Egjiptit. Para Zotit do të përkulen në malin e shenjtë, në Jerusalem. Mjerë kurora e lavdishme e të dehurve të Efraimit, lulja e vyshkur e bukurisë së tij madhështore, që rri mbi kryet e luginës pjellore, të marrë mendsh prej verës. Ja, Zoti ka një njeri të fortë e të fuqishëm, si stuhia e breshrit, si furtuna shkatërruese, si vërshimi i ujit të furishëm e rrëmbyes, me një dorë mbi tokë e përplas. Me këmbë do të shkelmohet kurora e lavdishme e të dehurve të Efraimit. Lulja e vyshkur e bukurisë së tij madhështore, që rri mbi kryet e luginës pjellore, do të jetë porsi fiku i pjekur para vere, që e sheh dikush, e këput me dorë dhe e përlan. Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë kurora e lavdisë, ai do të jetë diadema plot shkëlqim për tepricën e popullit të tij. Do të jetë shpirti i drejtësisë për gjykatësin, fuqia e atyre që e sprapsin sulmin te porta. Por, edhe këta janë trullosur prej verës, prej pijes dehëse u merren këmbët. Prifti e profeti janë trullosur prej pijes dehëse, janë çoroditur prej verës. Janë të trullosur prej pijes së fortë, të përhumbur në vegime, të lëkundur në gjykime. Gjithë tryezat e tyre janë plot me të vjella e ndyrësi; vend më në to nuk ka. «Por kujt do t'ia mësonte urtinë?», pyesin. «Kujt do t'ia shtjellonte lajmin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo u është hequr gjiri? Se paska urdhër pas urdhri, urdhër pas urdhri, e rregull pas rregulli, rregull pas rregulli, pak këtu e pak atje». Me buzë që belbëzojnë e me gjuhë të huaj këtij populli do t'i flasë. Ai vetë u kishte thënë: «Ja ku do të gjeni prehje! Vërini të lodhurit këtu të prehen, këtu do të gjeni prehje». Por ata s'deshën të dëgjonin. Por për ta fjala e Zotit ishte urdhër pas urdhri, urdhër pas urdhri, e rregull pas rregulli, rregull pas rregulli, pak këtu e pak atje, që të shkonin e të binin përmbys, që të bëheshin copë e çikë, t'i zinte laku e të kapeshin. Prandaj dëgjojeni fjalën e Zotit, o njerëz shpotitës, ju, që mbi popullin tim sundoni në Jerusalem. «Kemi bërë besëlidhje me vdekjen», thoni, «Me skëterrën kemi bërë marrëveshje, që kur të vijë përmbytja e madhe, të mos na prekë aspak, se për strehë kemi gënjeshtrën, mashtrimin, vendstrehim». Prandaj kështu thotë Zoti Perëndi: Ja, në Sion do të vë një gur, gur të sprovuar, gur qosheje, gur të çmuar, gur themeli. E kush të besojë në të, nuk ka pse ngutet. Të drejtën do ta bëj matës, drejtësinë plumbç. Por strehën e gënjeshtrës do ta rrënojë breshri, vendstrehimin do ta përmbytin ujërat. Besëlidhja juaj me vdekjen do të zhvlerësohet, marrëveshja juaj me skëterrën s'do të qëndrojë. Kur të kalojë rrebeshi përmbytës, keni për t'u shkelur prej tij. Sa të kalojë, para do t'ju marrë, do të kalojë çdo mëngjes, do të kalojë ditë e natë. Vetëm tmerri do ta përhapë lajmin. Tepër i shkurtër do të jetë shtrati për t'u shtrirë, tepër e ngushtë mbulesa për t'u mbuluar. Zoti do të ngrihet si në malin e Peracimit, zemërimi i tij do të ndizet si në luginën e Gibeonit, për të kryer veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar, për të bërë punën e tij, punën e tij të pazakontë. E tani reshtni së përqeshuri, që të mos ua shtrëngojnë më fort prangat, se kam dëgjuar prej Zotit, Zotit të ushtrive, urdhrin e shkatërrimit të mbarë vendit. Mbani vesh e dëgjojeni zërin tim, dëgjojeni me kujdes fjalën time. A lëron çdo ditë bujku për të mbjellë? A e plugon dhe e prashit çdo ditë arën? Pasi ia rrafshon sipërfaqen, a nuk mbjell ai kopër, a nuk hedh farën e kuminit? A nuk e mbjell nëpër vija farën e grurit e të elbit, thekrën anëve të arës? Perëndia e udhëzon atë, ai ia mëson udhën e drejtë. Kopra nuk shihet me shirëse, kumini nuk shtypet me rrotë qerreje, por kopra rrihet me thupër e kumini me shkop. Gruri bluhet, por jo tërë kohën, edhe pse e shijnë mirë e mirë. Kalon mbi të rrota e qerres, por thundra e kalit s'e thërrmon. Edhe kjo vjen prej Zotit të ushtrive, që jep këshilla të mrekullueshme, që ka dije madhështore. Mjerë Arieli! Arieli, qyteti ku fushoi Davidi. Le të shtohen vitet njëri pas tjetrit, le të kremtohen festat sipas radhës së tyre. Kam për të sjellë fatkeqësi mbi Arielin, do të ketë gjëmë e vajtim, e do të jetë për mua vërtet si një «ariel». Do të ngre fushimin përreth teje, me ledh do të të rrethoj, penda do të ngre kundër teje. Do të biesh shumë poshtë, prej dheut do të flasësh, nga pluhuri e mbytur do të dalë fjala jote, zëri yt do të tingëllojë si i dalë prej varrit, e folura jote do të pëshpëritë prej baltës. Të huajt e shumtë, që do të jenë te ti, pluhurit të imët do t'i ngjajnë, gjakatarët e tu si byku që e merr era, e kjo do të ndodhë befas në një çast. Do të vijë te ti Zoti i ushtrive, me gjëmim, me tërmet e me zhurmë të madhe, me shakullinë, me stuhi, me flakë zjarri që përvëlon. Si një ëndërr do të jetë, si vegimi i natës, turma e kombeve që do të luftojë kundër Arielit, tërë ata që do ta sulmojnë me gjithë fortesat e tij, do ta rrethojnë nga të gjitha anët. Do të jetë si i urituri që ëndërron, se ha, por, kur zgjohet, barkun zbrazët e ka, apo si i eturi që ëndërron, se pi, por, kur zgjohet, është i këputur e fytin thatë e ka. Kështu do të jetë turma e gjithë kombeve që malin e Sionit do të sulmojnë. Silluni si të marrë e marrosuni, silluni si të verbër e verbohuni! Të dehur, por jo prej verës, ju merren këmbët, por jo nga pija. Ja, Zoti dërgoi mbi ju një shpirt topitjeje, që i mbylli sytë tuaj, profetët, që i mbuloi kokat tuaja, vegimtarët. Kështu, të gjitha vegimet u bënë për ju si fjalët e një libri të vulosur, të cilin, nëse ia japin atij që di të lexojë e i thonë: «Lexoje këtë!», do të thotë: «Nuk mundem, se është i vulosur», apo nëse ia japin atij, që s'di të lexojë, e i thonë: «Lexoje!», do të thotë: «Nuk di të lexoj». Ky popull më afrohet veç me gojë, thotë Zoti, e më nderon veç me buzë, por zemra e tij është larg meje. Droja, që për mua kanë, s'është veçse urdhërim i mësuar prej njerëzve. Prandaj do ta çudis edhe më këtë popull, do ta çudis e do ta mahnis. Urtia e të urtëve të tij do të marrë fund, mençuria e të mençurve të tij do të errësohet. Mjerë ata që prej Zotit thellë i fshehin sendërgjimet e tyre, ata që veprat e tyre në terr i bëjnë e thonë: «Kush na sheh e kush na njeh?». Sa e pështirë! A çmohet poçari njëlloj si balta? A i thotë vepra krijuesit të vet «Nuk më ke bërë ti?». A i thotë ena poçarit që e bëri «Qenke krejt i pamend?». Edhe pak kohë, edhe shumë pak, e Libani do të kthehet në pemishte e pemishtja do të kthehet në pyll. Atë ditë të shurdhrit do të dëgjojnë fjalët e librit; të çliruar nga errësira e terri, sytë e të verbërve do të shohin. Të varfrit do të gëzojnë edhe më shumë në Zotin, skamnorët e njerëzimit do të ngazëllejnë për të shenjtin e Izraelit. Sepse njeriu i dhunshëm do të marrë fund e përqeshësi do të zhduket, gjithë ata që sendërgjojnë paudhësi do të shfarosen, ata që fajësojnë të tjerët me fjalë, që i ngrenë kurth gjykatësit te porta, që për asgjë e hedhin poshtë të drejtin. Prandaj kështu i thotë Zoti shtëpisë së Jakobit, ai që shpengoi Abrahamin: që tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më, që tani e tutje fytyra më s'do t'i skuqet. Kur të shohin bijtë e tij veprat që do të bëj mes tyre, do ta shenjtërojnë emrin tim. Të shenjtin e Jakobit do ta shenjtërojnë, Perëndinë e Izraelit do ta kenë frikë. Shpirtrat e mashtruar do të arrijnë të kuptojnë dhe ata që murmurijnë do të pranojnë t'i mësojnë. Mjerë bijtë kryeneçë, kumton Zoti, që sendërgjojnë, por pa më pyetur mua, që lidhin besën, por jo të frymëzuar prej meje, e që, kështu, i shtojnë mëkatet. U nisët për të zbritur në Egjipt, por pa më pyetur mua. Kërkoni mbrojtjen e fuqishme të faraonit, doni të gjeni strehë nën hijen e Egjiptit. Mbrojtja e faraonit do t'ju kthehet në turp, streha nën hijen e Egjiptit në poshtërim. Vërtet prijësit tuaj ndodhen tashmë në Coan dhe të dërguarit tuaj kanë mbërritur në Hanes, por do të turpërohen të gjithë, prej një populli që nuk sjell asnjë të mirë, që nuk sjell as ndihmë e as dobi, por veç turp e poshtërim. Profeci kundër kafshëve të Negevit: Në një vend vuajtjeje e mjerimi, prej nga vijnë luanesha e luani, nepërka e dragoi fluturues, mbi kurriz gomarësh mbartin pasuritë, mbi gunga devesh thesaret e tyre, për t'ia çuar një populli nga i cili gjë s'fitojnë. E kotë e pavlerë është ndihma e Egjiptit, prandaj dhe e quaj «Rahaba që s'luan vendit». Shko tani e, para syve të tyre, shkruaje këtë në një rrasë. Shënoje në një rrotull, që të mbetet për të ardhmen deri në amshim. Se ky popull është kryengritës, bij mashtrimi janë ata, bij që s'duan ta dëgjojnë ligjin e Zotit. «Mos kini vegime!», u thonë vegimtarëve. «Mos na dëfteni të vërtetën!», profetëve. «Por na flisni me fjalë lajkatare e na dëfteni veç mashtrime! Shmanguni nga udha e drejtë, dilni prej shtegut të vërtetë, të shenjtin e Izraelit na e hiqni sysh!». Prandaj kështu thotë i shenjti i Izraelit: Meqë e përçmuat këtë fjalë dhe besuat te shtypja e te shthurja, duke u mbështetur fort mbi to, kjo paudhësi do të jetë për ju si një e çarë, si plasaritja e thellë e murit të lartë, rrënimi i të cilit ndodh papritur në një çast. Do të thyhet si një poçe prej balte, do të thërrmohet pa mëshirë. S'do t'i mbesë asnjë copëz, për të marrë pak zjarr prej vatrës apo për të nxjerrë një pikë ujë prej sternës. Se kështu thotë Zoti Perëndi, i shenjti i Izraelit: po të ktheheni e të pushoni, do të gjeni shpëtim; po të jini në prehje e të keni besim, do t'i gjeni forcat, por ju nuk doni. Ju thatë: «Aspak! Do të ikim me kuaj». Mirë, pra, keni për të ikur. «Do të kalërojmë shpejt e shpejt», thatë. Mirë, pra, të shpejtë do të jenë edhe ndjekësit tuaj. Vetëm njëri do t'ju kërcënojë e një mijë prej jush do të tremben, pesë prej tyre do t'ju kërcënojnë, do të merrni arratinë, derisa të keni mbetur si hu në majë të malit, si flamuri në majë të kodrës. E pra, Zoti pret t'ju përdëllejë, është ngritur t'ju mëshirojë, se Zoti është Perëndi i drejtë; lum ata që shpresojnë tek ai! Se ti, o popull i Sionit, që banon në Jerusalem, nuk ke për të qarë më, mëshirë do të gjesh, sapo t'i kërkosh, ndihmë do të marrësh, sapo të të dëgjojë. E Zoti ka për t'ju dhënë bukë në kohë fatkeqësie, ujë në kohë mjerimi. Mësuesi më prej teje s'do të fshihet, por me sytë e tu do ta shohësh. Nëse shmangeni djathtas, apo nëse shmangeni majtas, një zë nga pas do t'ju thotë në vesh: «Ja ku është udha, bjerini andej!». Idhujt e veshur me argjend do t'i trajtosh si të papastër, bashkë me idhujt prej metali të veshur me ar. Do t'i flakësh tej si papastërti grash e do t'u thuash: «Qelbësirë!». Atëherë do të dërgojë shi për farën që do të kesh mbjellë nëpër ara dhe buka që do të prodhojë toka, e shijshme dhe e begatë do të jetë. Atë ditë bagëtitë e tua do të kullotin nëpër kullota të gjera. Qetë e gomarët, që lërojnë arat, do të hanë tagji të kripur, të hedhur me lopatë e terplote. Mbi çdo mal të lartë e mbi çdo kodër të ngritur përrenj do të ketë, që rrjedhin vrullshëm, ditën e batërdisë së madhe, kur do të shemben kullat. Drita e hënës do të ndriçojë si drita e diellit, drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, porsi ndriçimi i shtatë ditëve do të jetë, ditën kur Zoti të lidhë plagën e popullit të vet e të shërojë vurratën e goditjes që vetë i dha. Ja, prej së largu vjen emri i Zotit, e zjarrtë furia e tij, e rëndë barra e tij, plot zemërim janë buzët e tij, gjuha e tij si flakë përvëluese. Fryma e tij si përroi që vërshon e që të mbulon deri në fyt, që kombet t'i shoshitë me shoshë kërdie, që popujve t'u vërë në nofulla fre shfrenimi. Atëherë do t'ia merrni këngës, si natën kur bëni festë, me zemër të ngazëlluar, si ai që i bie fyellit, kur shkon në malin e Zotit, te shkëmbi i Izraelit. Zoti do të bëjë t'i dëgjohet zëri i madhërishëm, do të tregojë si vringëllon krahu i tij, me furinë e zemërimit të tij, me flakët e zjarrit përvëlues, me thëllim e me stuhi, me shtrëngatë breshri. Prej zërit të Zotit do të dridhet Asiria, nga fshikullimat e shkopit të tij. Çdo goditje e shkopit të ndëshkimit, me të cilin Zoti do t'i bjerë, do të përcillet me dajre e me harpa; me beteja vringëlluese kundër saj do të luftojë. Qëmoti është gatitur vendi i zjarrit përvëlues, gati është edhe për mbretin, e kanë thelluar, e kanë zgjeruar, turra e zjarrit është plot me dru, fryma e Zotit si përrua squfuri, flakën ka për t'i vënë. Mjerë ata që zbresin në Egjipt për ndihmë, që shpresën e kanë varur te kuajt, që shpresojnë te qerret e shumta të luftës dhe te kalorësit e shumtë në numër. Nuk kthehen nga i shenjti i Izraelit, Zotin nuk e kërkojnë. Por edhe ai është i aftë e do të sjellë fatkeqësi. Fjalën e vet nuk do ta kthejë pas, por do të ngrihet kundër shtëpisë së keqbërësve, kundër ndihmës së atyre që bëjnë paudhësi. Egjiptiani është njeri e jo Perëndi, kuajt e tyre janë prej mishi e jo prej shpirti. Kur ta shtrijë Zoti krahun e vet, do t'i merren këmbët atij që do të jepte ndihmë, ai që do të merrte ndihmë do të bjerë përtokë, të gjithë së bashku do të marrin fund. Sepse kështu më ka thënë Zoti: Siç ulërin mbi prenë luani apo këlyshi i luanit, kur i vërsulet turma e barinjve, siç nuk tutet prej zërit të tyre e as nuk struket prej zhurmës që bëjnë, ashtu do të zbresë edhe Zoti i ushtrive, për të luftuar në malin e Sionit e në kodrinën e tij. Siç fluturojnë zogjtë, ashtu do ta mbrojë Zoti i ushtrive Jerusalemin, do ta mbrojë e do ta çlirojë, do ta kursejë e do ta shpëtojë. Kthehuni sërish tek ai, o bij të Izraelit, prej të cilit kaq shumë u larguat! Atë ditë gjithkush do të flakë idhujt e vet prej argjendi, idhujt e vet prej ari, që me duart tuaja mëkatare i punuat. Asiria do të bjerë prej shpatës, por jo prej shpatës së njeriut, do ta përpijë shpata, por jo shpata e vdekatarit. Arratinë do të marrë para shpatës, të rinjtë e saj skllevër pune do të bëhen. Fortesën e saj do ta braktisin nga frika, krerët e saj do të tmerrohen prej flamurit, kumton Zoti, flaka e të cilit është në Sion, furrnalta e të cilit, në Jerusalem. Ja, mbreti do të mbretërojë me drejtësi, me drejtësi do të sundojnë sunduesit. Secili do të jetë si strehorja kundër erës, si streha kundër rrebeshit, si përrenjtë e ujit në tokë të etur, si hija e shkëmbit në tokë të zhuritur. Sytë e atyre që shohin nuk do të erren më, veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të hapura. Zemra e të paditurve do të fitojë dije, gjuha e atyre që belbëzojnë do të rrjedhë e do të flasë qartë. I marri s'do të quhet më fisnik, mashtruesi s'do të quhet burrë zotëri. Sepse i marri flet veç marrëzi, paudhësi sendërgjon zemra e tij, sesi e si të kryejë pabesi e poshtërsi të thotë kundër Zotit. Të uriturit barkun zbrazët ia lë, të eturit nuk i jep të pijë. Mashtruesi përdor armë të poshtra, të këqija sendërgjon, që ta rrënojë me fjalë të rreme të varfrin, edhe skamnorin, që kërkon drejtësi. Por fisniku sendërgjon fisnikëri e në fisnikëri qëndron. Ngrihuni, o gra mendjelehta, dëgjojeni zërin tim; ju, o bija të vetëkënaqura, vërini vesh fjalës sime! Pas më shumë se një viti do të dridheni, o të vetëkënaqura, se ka për të përfunduar vjelja e mbledhje frutash s'do të ketë më. Fërfëllini, pra, o mendjelehta, trembuni, o të vetëkënaqura, hiqini rrobat e zhvishuni, ngjishni ijëve grathoren. Rrihni gjoksin e vajtoni për arat e këndshme, për vreshtat pjellore, për tokën e popullit tim që e mbuluan gjemba e ferra, për të gjitha shtëpitë e gëzuara, për qytetin që ngazëllen. Se do të braktiset edhe kështjella, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet, fortesa e Ofelit, bashkë me kullën e vrojtimit, do të kthehen përgjithmonë në shpella, në lodrim për gomarët e egër, në kullotë për bagëtitë. Por, kur të dikojë mbi ne sërish Shpirti prej së larti, shkretëtira do të bëhet kopsht pjellor e kopshti si pyll do të vlerësohet. Në shkretëtirë do të banojë e drejta, në kopsht do të vendoset drejtësia. Fryt i drejtësisë do të jetë paqja, vepër e drejtësisë do të jetë qetësia, ajo do të jetë siguria deri në amshim. Populli im do të vendoset në vend paqeje, do të banojë në banesa të sigurta, në vende të qeta, pa shqetësime, edhe pse pylli do të dëmtohet prej breshrit, edhe pse qyteti do të fundoset thellë. Lum ju që mbillni pranë ujërave dhe e lini të lirë kaun e gomarin. Mjerë ti që shkatërron, edhe pse s'të kanë shkatërruar, ti që tradhton, edhe pse s'të kanë tradhtuar, se, sapo të kesh shkatërruar, do të shkatërrohesh, sapo të kesh tradhtuar, do të tradhtohesh. Ki mëshirë për ne, o Zot, se kemi shpresuar te ti. Bëhu mbrojtja jonë çdo mëngjes, shpëtimi ynë në kohë mjerimi. Nga ushtima, ikin popujt, kur ngrihesh ti, shpërndahen kombet. Do të grumbullohet plaçka e luftës si vemjet, do të vërsulen mbi to si karkalecat. Madhështor është Zoti, se banon në lartësi, Sionin e ka mbushur me të drejtë e drejtësi. Ditët e tua do të jenë të palëkundshme, urtia e dija, pasuria shpëtimtare, droja e Zotit thesari yt. Ja, trimat e tu bërtasin nëpër rrugë, lajmëtarët e paqes qajnë hidhur. Sheshet janë të shkreta, shtigjeve s'kalon kush, besëlidhja është shkelur, qytetet janë përçmuar, njeriu s'ka më vlerë. Është tharë, është vyshkur toka, nga turpi është venitur Libani, Sharoni është bërë shkretëtirë, Bashani e Karmeli dridhen. E tani po ngrihem, thotë Zoti, ja, në këmbë po çohem, tani po madhërohem! Keni ngjizur sanë, kashtë do të lindni, fryma ime do t'ju përpijë si zjarri! Popujt do të digjen në furrën e gëlqeres, si ferrat e prera do t'i djegë zjarri. Ju që jeni larg, dëgjoni çka bëra, ju që jeni afër, njiheni fuqinë time. Mëkatarët në Sion u tmerruan, të paudhët dridhmat i pushtuan. «Kush prej nesh mund të banojë», thonë, «Mes zjarrit përvëlues? Kush prej nesh mund të banojë mes flakëve të përjetshme?». Ai që ecën me drejtësi, ai që flet çka është e drejtë, që s'kërkon fitim të pandershëm, që tund duart për të mos marrë mitë, që mbyll veshët për të mos dëgjuar për vrasje, që mbyll sytë për të mos parë të keqen, ai do të banojë në vend të lartë, fortesa mbi shkëmb do të jetë streha e tij, do të ketë bukë për të ngrënë, nuk do t'i mungojë uji. Sytë tuaj do të shohin një mbret të lavdishëm, do të kundrojnë një vend që s'ka fund. Zemra jote do të përsiatë me tmerr: «Ku është ai që mban shënim? Ku është ai që peshat mat? Ku është ai që kullat numëron?». Popullin mizor s'do ta shohësh më, atë popull me një të folme që s'merrej vesh, që belbëzonte gjuhë të pakuptueshme. Kundro Sionin, qytetin e të kremteve tona! Sytë e tu do të shohin Jerusalemin, vendbanimin e qetë, tendën e patundur. Hunjtë e saj s'do t'i shkulin dot kurrë, litarët e saj nuk do t'i këputin. Atje Zoti do të jetë madhështor për ne, në atë tokë ku rrjedhin lumenj me degë të gjera. Anije me rrema atje s'do të kalojnë, anije të mëdha s'do të lundrojnë. Se Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjdhënësi ynë, Zoti është mbreti ynë, ai do të na shpëtojë. Litarët e tu janë liruar, direkun tënd s'e mbajnë dot, dhe velin nuk ta ndehin. Atëherë plaçka e shumtë do të ndahet, do të marrin deri edhe të çalët. Asnjë nga banorët s'do të thotë: «Jam sëmurë». Popullit që banon atje, do t'i falet paudhësia. Afrohuni, o kombe, e dëgjoni, ju, o popuj, mbani vesh! Le të dëgjojë toka e gjithçka në të, bota e gjithçka që ajo prodhon! Zemërimi i Zotit shfreu mbi gjithë kombet, furia e tij mbi gjithë ushtritë e tyre, shkatërrimin e tyre e ka vendosur, i ka caktuar për shfarosje. Të vrarët e tyre do të hidhen përtokë, era e qelbur e kufomave do të përhapet, malet do të qullen me gjakun e tyre. Tërë ushtria e qiellit do të shfaroset, qiejt si rrotulla do të mblidhen, gjithë ushtria e tyre do të bjerë, siç bien gjethet e hardhisë, si gjethet e thara të fikut. Vringëllon shpata ime në qiell, e ja, përmbi Edomin do të bjerë, mbi popullin që caktova për shfarosje, gjykimin për të kryer. Shpata e Zotit kullon gjak, plot dhjamë është mëlmyer, me gjak qengjash e kecash, me dhjamë veshkash dashi, se flija e Zotit po kushtohet në Bocrah, kërdi e madhe në vendin e Edomit. Bashkë me ta po theren buaj, mëzetërit bashkë me demat, me gjakun e tyre po dehet toka, dheu i tyre po mëlmehet me dhjamë. Se është dita e hakmarrjes së Zotit, viti i shpagimit për hir të Sionit. Përrenjtë e Edomit do të kthehen në katran, dheu i tij do të bëhet squfur, katran i ndezur toka e tij. S'do të shuhet as ditën, as natën, tymi përherë do të dalë prej tij, i shkretë do të mbetet brez pas brezi, kurrë më nëpër të s'do të kalojë kush. Zotër të tij do të jenë huta e iriqi, kukuvajka e korbi në të do të banojnë. Mbi të Zoti do të shtrijë litarin e rrënimit, bashkë me plumbçin e zbrazëtisë. Fisnikë atje s'do të ketë më, që mbretëri atë ta quajnë, të gjithë princat do të jenë zhdukur. Në fortesat e tij do të mbijnë ferra, në kullat e tij hithra e driza, strofull për çakejtë do të bëhet, fole për këlyshët e strucit. Macet e egra do të takohen me hienat, dhitë e egra do të thërrasin njëra-tjetrën, atje do të bëjnë fole egërsirat e natës, aty do të gjejnë strehë. Atje do të ngrejë folenë shigjetulla, vezët e veta aty do t'i shtrojë, do t'i çelë e do t'i rritë nën hijen e saj e atje do të mblidhen bashkë hutat. Kërkoni në librin e Zotit e lexoni: «Asnjë prej atyre kafshëve s'do të mungojë, asnjërës s'do t'i mungojë shoqja e vet. E ka urdhëruar Zoti me gojën e vet, vetë shpirti i tij i ka bashkuar. Ai vetë hodhi short për to, dora e tij e ndau tokën me matës. Ato do ta trashëgojnë në amshim, brez pas brezi në të do të banojnë». Le të gëzojë shkretëtira dhe toka e thatë, le të ngazëllejë stepa e të lulëzojë si trëndafili. Le të lulëzojë ngado, të gëzojë e të ngazëllejë! Do t'i jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Lavdinë e Zotit do të shohin, madhështinë e Perëndisë tonë. Forcojini duart e stërmunduara, jepuni forcë gjunjëve të këputura. Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra: «Jini të fortë e frikë mos kini! Ja, Perëndia juaj po vjen të marrë hak! Po mbërrin shpagimi i Perëndisë! Ai po vjen për t'ju shpëtuar!». Atëherë të verbërve do t'u çelen sytë, të shurdhërve do t'u hapen veshët, i çali do të kërcejë si dreri, gjuha e shurdhmemecit do të brohorasë, se në shkretëtirë do të gëlojnë ujërat, përrenjtë do të vërshojnë në tokë të thatë. Toka e shkrumbuar do të bëhet liqen, vendi i thatë burim ujërash. Në strofullin ku strukeshin çakejtë, do të rritet kallami e xunkthi. Atje do të ketë një udhë të gjerë, një udhë që do të quhet «Udha e Shenjtë» dhe i papastri nëpër të s'do të kalojë. Do të jetë vetëm për ata që udhës së drejtë ecin, dhe të marrët s'kalojnë dot nëpër të. Luan atje s'do të ketë, bishë grabitqare s'do të shkelë atje. Jo, ato s'do të kalojnë nëpër të, por do të kalojnë vetëm të shpenguarit. Do të kthehen të shpëtuarit prej Zotit, në Sion do të vijnë me britma gëzimi, ngazëllimi i përhershëm do t'ua çelë fytyrën, do t'i pushtojë hareja e ngazëllimi, trishtimi e psherëtima larg do të degdisen. Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të Ezekisë, Sankeribi, mbreti i Asirisë, sulmoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. Mbreti i Asirisë dërgoi nga Lakishi te mbreti Ezeki në Jerusalem kreun e ushtrisë me një ushtri të madhe. Ai u ndal tek ujësjellësi i pellgut të sipërm që gjendet në udhën që të çon në Arën e Rrobalarësit. Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, dolën për ta takuar. Kreu i ushtrisë së Asirisë u tha: «Thuajini Ezekisë: kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku e gjen gjithë këtë besim? Them se fjalët e gojës janë këshillimi e forca që duhen për luftë. Ku e ke varur shpresën, që guxon të ngresh krye kundër meje? Mos shpreson gjë tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, mbi të cilin, nëse mbështetet njeri, i çahet e i shpohet dora? I tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për ata që shpresojnë tek ai. Apo mos do të më thuash se shpreson te Zoti, Perëndia juaj? Por, a nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën e Jerusalemin të adhuronin vetëm para këtij altari në Jerusalem? E tani, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë: ai të jep dy mijë kuaj, po arrite të gjesh kalorës për ta. E si do ta mundësh qoftë edhe qeveritarin më të vogël të zotërisë tim? Apo shpreson tek Egjipti për kuaj e kalorës? A mos kujton se kam ardhur pa dëshirën e Zotit për ta shkatërruar këtë tokë? Zoti vetë më tha ta sulmoja këtë tokë e ta shkatërroja». Atëherë Eliakimi, Shebnau e Joahu i thanë kreut të ushtrisë: «Të lutemi, fol aramaisht me ne, shërbëtorët e tu, se e kuptojmë, e mos fol judaisht, se të dëgjon populli, që është mbi mure». Por kreu i ushtrisë u tha: «Mendoni se zotëria im më dërgoi t'ua them këto fjalë vetëm juve e zotërisë suaj? Le t'i dëgjojnë edhe këta burra që rrinë mbi mure, sepse së shpejti kanë për të ngrënë bashkë me ju jashtëqitjet e veta dhe për të pirë shurrën e vet». Atëherë u ngrit kreu i fushimit të Asirisë, foli me zë të lartë në judaisht e tha: «Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë! Kështu thotë mbreti: “Të mos ju gënjejë Ezekia, se nuk do t'ju shpëtojë dot nga dora ime. Mos e lejoni t'ju bëjë të shpresoni te Zoti, kur t'ju thotë se do të na shpëtojë patjetër Zoti dhe se ky qytet nuk ka për të rënë në duart e mbretit të Asirisë”. Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: “Bëni paqe me mua e dorëzohuni tek unë dhe secili do të hajë prej vreshtit të vet e prej fiqve të vet e do të pijë ujë prej pusit të vet, derisa të vij e t'ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, në një vend plot drithë e verë, në një tokë buke e vreshtash. Ezekia ju mashtron kur ju thotë se do t'ju shpëtojë Zoti. Cilin prej kombeve shpëtuan perënditë e tyre nga dora e mbretit të Asirisë? Ku janë perënditë e Hamatit e Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A mos e shpëtuan Samarinë prej dorës sime? Kush nga tërë perënditë e këtyre vendeve e shpëtoi vendin e tyre nga dora ime, që ta shpëtuaka Zoti Jerusalemin nga duart e mia?”». Ata heshtën e nuk i kthyen asnjë përgjigje, se mbreti kishte urdhëruar të mos i përgjigjeshin. Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, u kthyen tek Ezekia, shqyen rrobat e i treguan fjalët e kreut të ushtrisë së Asirisë. Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore e shkoi në tempullin e Zotit. Mandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin, dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore. Ata i thanë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, se fëmijët janë gati për të dalë nga barku i nënës, por ajo nuk ka fuqi t'i lindë. Ndoshta Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve, që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për tepricën që ka mbetur!”». Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia, ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë Zoti: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë. Ja, unë do t'i dërgoj një shpirt e, sapo të marrë vesh një lajm, ai do të kthehet në vendin e tij. Atje do të bjerë prej shpatës”». Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun. Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha: «Kështu do t'i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë. Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve e sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh? A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar. Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës e Avahut?». Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe, pasi e lexoi, shkoi në tempullin e Zotit dhe e hapi rrotullën para Zotit. Mandej iu lut Zotit e tha: «O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin e tokën. Ule veshin, o Zot, e dëgjo! Hapi sytë, o Zot, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë. Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar të gjitha vendet e tokat e tyre. Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan. E tani, o Zot, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut se vetëm ti je Zoti ». Atëherë Isaia, biri i Amosit, i dërgoi lajm Ezekisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: më je lutur për Sankeribin, mbretin e Asirisë. Ja fjalët që unë, Zoti, shqiptova kundër tij: të përbuz, të përqesh virgjëresha, bija e Sionit! Prapa teje kokën tund bija e Jerusalemit. Me kë je tallur, kë ke fyer? Kundër kujt zërin ke ngritur e tërë mburrje e ke parë? Kundër të shenjtit të Izraelit! Përmes shërbëtorëve të tu ti ke fyer Zotin e me vete ke thënë: “Me karrocat e mia të shumta majë maleve u ngjita, lartësive më të thella të Libanit. Më të lartat cedra ia preva dhe pyjet më të bukura. Mbërrita në skutat e tij më të larta, në pyjet e tij më të dendura. Hapa puse e piva ujë, me shputat e këmbëve të mia mbarë lumenjtë e Egjiptit thava”. Por, a nuk ke dëgjuar vallë? Prej kohësh të lashta këtë e caktova, që nga ditët e hershme e përftova, e tash po e zbatoj. Ty të caktova të sjellësh rrënim e qytetet e fortifikuara në pirgje gërmadhash t'i kthesh. Banorët e tyre u tmerruan, duart iu mpinë e u drodhën. U bënë si bari i fushës e si bari i lëndinave, si bari i pullazeve, që thahet pa mbirë mirë. Unë e di mirë kur rri, kur hyn e kur del. Di edhe tërbimin që kundër meje ke. Je ndezur kundër meje e krenaria jote në vesh më erdhi, prandaj në hundë unazën do të ta vë e në gojë frerin e hekurt, që pas të të kthej udhës nga ke ardhur. E për ty, Ezeki, kjo do të jetë shenja: këtë vit do të hani çka është rritur vetë, vitin tjetër çka do të ketë mbirë vetë, ndërsa vitin e tretë do të mbillni e do të korrni, do të mbillni vreshta e do të hani frutat e tyre. Ata që do të mbesin nga shtëpia e Judës, do t'i lëshojnë rrënjët thellë në tokë e degët do t'u mbushen plot fryte. Prej Jerusalemit do të dalë populli i mbetur, prej malit të Sionit do të ngrihen ata që kanë shpëtuar. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit. Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: ai nuk do të hyjë në këtë qytet e nuk do ta sulmojë me shigjeta. Nuk do t'i mësyjë nën mbrojtjen e shqyteve e as ledh nuk do të gërmojë rreth tij. Do të kthehet rrugës nga erdhi e në këtë qytet nuk do të hyjë, kumton Zoti. Këtë qytet do ta mbroj vetë, për vete e për hir të Davidit, shërbëtorit tim». Atëherë engjëlli i Zotit sulmoi fushimin e asirianëve dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë luftëtarë. Kur u ngritën herët në mëngjes, panë gjithë ato kufoma të vdekurish. Atëherë Sankeribi, mbreti i Asirisë, ngriti fushimin, u kthye pas e u vendos në Ninivë. E teksa po adhuronte në tempullin e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku e Sarecerin, bijtë e tij, e vranë Sankeribin me shpatë dhe ia mbathën për në Ararat. Në vend të tij mbretëroi Esarhadoni, i biri. Asokohe Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isai, biri i Amosit, shkoi tek ai e i tha: «Kështu thotë Zoti: ndreqi punët e shtëpisë sate, se nuk do të jetosh gjatë. Do të vdesësh». Ezekia u kthye me fytyrë nga muri, iu lut Zotit e tha: «Të lutem, o Zot, kujtohu se kam ecur në praninë tënde me besnikëri e me zemër të çiltër dhe kam bërë çka është mirë në sytë e ty». Dhe qau me ngashërim. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaisë: «Shko e thuaji Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: e dëgjova lutjen tënde e i pashë lotët e tu. Do të të jap edhe pesëmbëdhjetë vite jetë e do të të shpëtoj nga dora e mbretit të Asirisë. Do ta shpëtoj edhe këtë qytet e do ta mbroj”. Dhe kjo është shenja prej Zotit, se Zoti do ta përmbushë këtë fjalë që tha: “Ja, hijen, që ka mbuluar shkallaren e Ahazit, e cila më përpara ishte në diell, do ta kthej pas dhjetë shkallare”». Atëherë dielli u tërhoq nga dhjetë shkallaret ku kishte zbritur. Krijim i Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur e u shërua prej sëmundjes së tij: «Në gjysmën e ditëve të mia po shkoj, thosha, dënuar për te portat e skëterrës, për ato vite që më kanë mbetur. Nuk do ta shoh më Zotin, thosha, Zotin në tokën e të gjallëve. Nuk do të shoh më asnjërin prej banorëve të botës. U shkul banesa ime, u hodh larg prej meje, ashtu siç shkulet tenda e barinjve. Ma mbështolli jetën si fije endësi, nga vegja ma këputi. Nga agimi deri në mbrëmje ke për të më dhënë fund. Klitha deri në mëngjes, si luani po m'i shtyp kockat. Nga agimi deri në mbrëmje ke për të më dhënë fund. Krakëllija si lejleku e dallëndyshja, porsi pëllumbesha gugatja, sytë m'u këputën duke parë lart. O Zot, jam ngushtë, bëhu mbrojtja ime! Çfarë të them, që të më përgjigjet? Është ai që ka vepruar. Do të jetoj gjithë jetën me hidhërim në shpirt. O Zot, prej këtyre gjërave jetojnë njerëzit, prej tyre rron edhe shpirti im. Prandaj më shëro e jetën ma përtëri. Ja, në shëndet m'u kthye hidhërimi, shpirtin prej gropës së shkatërrimit ma shpëtove, Pas shpine ti i hodhe të gjitha mëkatet e mia. Se skëterra nuk të lavdëron e vdekja nuk të përlëvdon, ata që zbresin në gropë nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde. I gjalli, vetëm i gjalli të lavdëron, si unë sot. Ati u mëson bijve të vet besnikërinë tënde. Zoti deshi e më shpëtoi, prandaj do t'i këndojmë me harpë, gjithë ditët e jetës sonë, në tempullin e Zotit ». Isaia tha: «Sillni një kulaç me fiq». Kulaçin ia vunë mbi plagë dhe Ezekia u shërua. Atëherë Ezekia tha: «Cila është shenja se do të shërohem e se do të shkoj në tempullin e Zotit?». Asokohe, mbreti i Babilonisë Merodak Baladani, biri i Baladanit, i dërgoi Ezekisë një dhuratë e një letër, se kishte marrë vesh që kishte qenë sëmurë. Ezekia u gëzua me lajmëtarët e u tregoi vendin ku ruhej tërë thesari i tij, argjendi, floriri, aromat e vajrat erëmirë. U tregoi edhe vendin ku ruheshin armët dhe tërë vendet ku ruheshin thesaret e tij. Ezekia nuk la gjë pa u treguar në pallat e në gjithë mbretërinë e tij. Atëherë profeti Isai shkoi te mbreti Ezeki e i tha: «Nga vinin ata burra e çfarë të thanë?». Ezekia i tha: «Vijnë nga një vend i largët, nga Babilonia». Isaia e pyeti: «E çfarë panë në pallatin tënd?». Ezekia iu përgjigj: «Panë gjithçka ndodhet në pallatin tim e nuk lashë gjë pa u treguar nga thesaret e mia». Atëherë Isaia i tha Ezekisë: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit të ushtrive: “Ja, po vijnë ditët, kur gjithçka që gjendet në pallatin tënd e gjithçka që kanë mbledhur paraardhësit e tu deri më sot, do të çohet në Babiloni e këtu nuk do të mbetet asgjë”, thotë Zoti. Babilonasit do të marrin edhe disa prej djemve të tu, që do të lindin prej teje, e do t'i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë». Ezekia i tha Isaisë: «E mirë është fjala që të ka thënë Zoti ». E me vete mendonte: «Të paktën, sa të jem gjallë unë, do të ketë paqe e siguri». Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj. Flitini zemrës së Jerusalemit, i shpallni atij, se mori fund thirrja nën armë, paudhësia e tij u shlye, se dyfish u ndëshkua prej dorës së Zotit për gjithë mëkatet e tij. Ja, një zë thërret: «Bëni gati në shkretëtirë një udhë për Zotin, rrafshoni nëpër stepë një shteg për Perëndinë tonë. Le të ngrihet lart çdo luginë, le të ulet poshtë çdo mal e kodër, rruga dredha-dredha le të drejtohet, rrëpira le të bëhet e rrafshët. Lavdia e Zotit do të shfaqet e atëherë çdo qenie njëherësh do të shohë, se foli vetë goja e Zotit ». Ja, një zë thotë: «Shpall!». E pyeta: «Çfarë të shpall?». «Se çdo njeri është si bari, e mirësia e tij si lulja e fushës. Bari thahet e lulja vyshket, kur fryma e Zotit puhat mbi të, e vërtet, populli është si bari. Thahet bari, vyshket lulja, por fjala e Perëndisë tonë mbetet në amshim». Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin Sionit! Ngrije sa më fort zërin, ti që i sjell lajmin Jerusalemit! Ngrije zërin e mos ki frikë, qyteteve të Judës thuaju: «Ja, Perëndia juaj!». Ja, Zoti Perëndi, po vjen me fuqi, e krahu i tij do të sundojë. Ja, me vete sjell shpagimin, në prani të tij është shpërblimi. Si bariu do ta kullotë kopenë e tij, me krahun e vet do t'i mbledhë qengjat, në gji do t'i mbajë, deleve pjellake me kujdes do t'u prijë. Kush e ka matur me shuplakë detin apo me pëllëmbë qiellin? Kush e mati me masë pluhurin e tokës apo i vuri në peshore malet e në kandar kodrat? Kush e drejtoi shpirtin e Perëndisë apo i dha ndonjëherë këshilla? Me kë u këshillua e mësoi prej tij apo kush ia mësoi shtegun e drejtësisë? Kush i dha atij dije apo i tregoi udhën e mençurisë? Ja, kombet janë si pika e ujit në kovë, çmohen sa pluhuri në peshore. Ja, ujdhesat i ngre si të ishin kokërr pluhuri. Libani s'do të mjaftonte për të ndezur zjarrin, kafshët e tij s'do të dilnin për flinë e shkrumbimit. Kombet mbarë s'janë asgjë para tij, si një hiç e kotësi vlerësohen prej tij. Me kë, pra, ta krahasoni Perëndinë? Ç'shëmbëllesë do të vini përballë tij? Idhullin e shkrin farkëtari, me fletë ari e vesh argjendari, vargje prej argjendi i derdh përreth. Më i varfri zgjedh dru që s'kalbet e kërkon mandej një mjeshtër të ditur, që idhullin atij t'ia punojë, një idhull që nuk lëviz. A nuk e ditkeni vallë? A nuk e paskeni dëgjuar? A nuk ju është thënë qëmoti? Themelimin e tokës a s'e paskeni kuptuar? Ai rri ulur mbi kubenë e tokës, banorët e saj si karkaleca duken, ai i shpalos qiejt porsi vel, i shtrin si tendë për të banuar. Ai i kthen princat në hiç, të kotë i bën gjyqtarët e tokës. Të porsambjellë, të porsahedhur në tokë, pa zënë rrënjë ende kërcelli, ai u fryn e ata thahen, stuhia i rrëmben porsi kashtën. «Me kë do të më krahasoni?», pyet i Shenjti. «Me kë vallë qenkam i ngjashëm?». Ngrini sytë lart e shikoni! Kush i krijoi çka shihni? Ai që i radhit të gjitha si ushtri, që e thërret secilin me emër. E madhe është fuqia e tij, e vrullshme forca e tij, prandaj dhe nuk mungon asnjë prej tyre. Pse flet kështu, o Jakob? Përse thua, o Izrael: «Udha ime është e fshehur për Zotin, Perëndia im s'kujdeset për të drejtën time?». A thua nuk e ditke vallë? A thua s'e paske dëgjuar? Zoti është Perëndia i amshimit, ai i krijoi skajet e tokës. As lodhet, as mundohet, dija e tij është e pagjurmueshme. Ai i jep fuqi të lodhurit, të këputurit ia shton fuqitë. Të rinjtë lodhen e këputen, më të rriturit pengohen e bien. Por ata që shpresojnë te Zoti përtërihen në fuqi, marrin krahë si të shqiponjës, vrapojnë e nuk lodhen, ecin e nuk këputen. Le të heshtin para meje ishujt, le ta përtërijnë fuqinë popujt, le të afrohen e të flasin, le të shkojmë bashkë për të bërë gjyq. Kush e ngriti, pra, atë prej lindjes, kush e thirri të ngrihet për të bërë drejtësi? Para tij i dorëzon kombet, para tij i rrëzon mbretërit. Shpata e tij i kthen në pluhur, harku i tij, në kashtë të hapërdarë. I ndjek pas e i kalon pa pësuar gjë, nëpër shtigje, ku këmba e tij s'ka shkelur kurrë. Kush e bëri? Kush e kreu këtë? Kush i shpall breznitë që në fillim? Unë, Zoti, jam i pari. Unë do të jem edhe me të fundit. Shohin ujdhesat e dridhen, skajet e tokës tmerrohen; po afrohen, po mbërrijnë! Secili ndihmon të afërtin, vëllait të vet i thotë: «Bëhu i fortë!». Mjeshtri i jep zemër argjendarit, bakërpunuesi, farkëtarit me kudhër. «Mirë është», i thotë për ngjitjen, dhe me gozhdë e forcon, që të mos tundet vendit. Po ti, o Izrael, shërbëtori im, ti, o Jakob, i zgjedhuri im, fara e Abrahamit, mikut tim, ty, që nga skajet e tokës të mora, të thirra prej viseve të largëta e të thashë: «Ti je shërbëtori im, ty të zgjodha e poshtë nuk të kam hedhur». Mos u tremb, se unë jam me ty, mos u tmerro, se unë jam Perëndia yt. Unë të jap forcë, unë të ndihmoj, me të djathtën e drejtësisë sime të përkrah. Ja, do të turpërohen e do të skuqen gjithë sa janë të zemëruar me ty, do të kthehen në hiç, do të zhbihen ata që luftojnë kundër teje. Do t'i kërkosh, por nuk do t'i gjesh ata që të kundërshtojnë, do të jenë si të mos ishin, do të asgjësohen, ata që të sulmojnë. Se unë jam Zoti, Perëndia yt, unë të marr për dore e të them: «Mos ki frikë, unë jam ndihma jote. Mos u tremb, o krimb i Jakobit, o burra të Izraelit, se unë jam ndihma juaj», kumton Zoti, shpëtimtari yt, i shenjti i Izraelit. Ja tek po të bëj shirëse të mprehtë, të re e me dhëmbëza të mprehta. Do t'i shish malet e do t'i copëtosh, kodrat do t'i kthesh në byk. Do t'i hedhësh lart e do t'i marrë era, stuhia do t'i shpërndajë. E ti do të gëzosh në Zotin, me të shenjtin e Izraelit do të lavdërohesh. Skamnorët e nevojtarët kërkojnë ujë, por ujë nuk ka, nga etja gjuha e tyre thahet. Unë, Zoti, do t'u gjendem, unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis. Lumenj do të shpërthej prej kodrave të zhveshura, burime ujërash në mes të luginave, shkretëtirën do ta bëj pellg ujërash, tokën e thatë gurrë përrenjsh. Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin, akacien, mërsinën e ullirin, në shkretëtirë qiparisin do ta vë, bashkë me vidhin e me bredhin. Kështu, do të shohin e do ta dinë, do ta kuptojnë e do ta marrin vesh tok, se këtë e bëri dora e Zotit, këtë e krijoi i shenjti i Izraelit. «Paraqiteni çështjen tuaj», thotë Zoti, «Parashtrojini arsyetimet tuaja», thotë mbreti i Jakobit. Të afrohen e të na tregojnë ç'do të ndodhë, të na tregojnë gjërat që kaluan, që t'i shqyrtojmë në zemër e të dimë përfundimin, ose të na shpallin gjërat që do të vijnë. Na tregoni ç'do të ndodhë në të ardhmen, që ta pranojmë se jeni perëndi. Bëni diçka të mirë apo diçka të keqe, që të mahnitemi e të shohim njëri-tjetrin me habi. Ja, ju s'jeni askush, vepra juaj s'vlen aspak, i neveritshëm kush ju zgjedh. E kam ngritur dikë prej veriut e ai po vjen, prej atje ku lind dielli emrin tim ai thërret, do t'i shkelë prijësit porsi baltën, si poçari që shtyp argjilën. Kush e shpalli këtë që në krye, që ta dinim, apo prej kohëve të moçme, që të thoshim: «E drejtë». Jo, askush nuk e tha e askush nuk e shpalli. Jo, askush nuk i dëgjoi fjalët e tua. I pari isha që i thashë Sionit: «Ja, ja tek janë!». Lajmëtarin unë ia dërgova Jerusalemit. Pashë, por nuk ishte askush, mes tyre s'kishte asnjë që të jepte këshillë apo që ta pyesja e të më përgjigjej. Ja, të gjithë këta janë veç kotësi, veprat e tyre krejt pa vlerë, idhujt e tyre erë e zbrazët. Ja, shërbëtori im që unë e përkrah! Ja, i zgjedhuri im që shpirtin ma kënaq! Mbi të kam vënë shpirtin tim, ai do t'u sjellë kombeve drejtësinë. Nuk do të bërtasë, zërin s'do ta ngrejë, s'do t'i dëgjohet zëri nëpër rrugë. Kallamin e shkelur s'do ta thyejë, kandilin që nxjerr tym s'do ta shuajë, të drejtën me vërtetësi do ta shpallë. S'do të meket, s'do të mposhtet, derisa të ketë vënë drejtësi mbi tokë; ujdhesat presin të mësojnë ligjin e tij. Kështu thotë Zoti Perëndi, ai që krijon qiejt e i ndeh, ai që shtrin tokën me gjithçka prodhon, që mbi tokë frymë i jep njeriut e shpirt atyre që ecin mbi të: unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam kapur. Të kam ruajtur e të kam caktuar si besëlidhje për popullin, si dritë për kombet, për t'u hapur sytë të verbërve, të burgosurit për t'i nxjerrë nga burgu, prej shtëpisë së robërisë, ata që rrinë në terr. Unë jam Zoti, ky është emri im, lavdinë time tjetërkujt s'ia jap, as lavdërimet e mia idhujve të gdhendur. Ngjarjet e mëparshme, ja, kanë ndodhur e tani po shpall gjëra të reja. Para se të ndodhin, do t'jua bëj të njohura. Këndojini Zotit një këngë të re, jepini lavdi prej skajeve të dheut, ju që lundroni në det e ju krijesat e detit, ujdhesat me gjithë banorët e tyre. Le ta ngrejë zërin shkretëtira e qytetet e saj, bashkë me fshatrat e vendbanimeve të Kedarit, banorët e Selaut le të brohorasin, prej majave të maleve le të thërrasin. Le t'i japin lavdi Zotit, nëpër ujdhesa lavdërimin e tij të shpallin. Si trim marshon Zoti, porsi luftëtari e ndez zellin e tij, me britma lëshon kushtrimin, mbi armiqtë ngadhënjen. Kam heshtur për shumë kohë, kam mbyllur gojën, jam përmbajtur, tani do të këlthas si gruaja kur lind, do të gulçoj e do të turfulloj njëherësh. Do të shkretoj male e kodra, bimësinë e tyre do ta vyshk, lumenjtë në ujdhesa do t'i kthej e pellgjet do t'i thaj. Të verbërve do t'u prij në udhë të panjohura, shtigjeve që s'i njohin do t'i drejtoj, errësirën para tyre në dritë do ta kthej, udhët e shtrembra të drejta do t'i bëj. Do t'i bëj këto gjëra për ta e nuk do t'i braktis. Do të kthehen të mbuluar me turp ata që në idhujt besojnë, ata që shtatoreve të derdhura u thonë: «Ju jeni perënditë tona». Dëgjoni, o të shurdhër! O të verbër, hapni sytë e shihni! Kush është i verbër, në mos shërbëtori im, apo i shurdhër si lajmëtari që kam dërguar? Kush është i verbër si i zgjedhuri im apo i shurdhër si shërbëtori i Zotit? Shumë gjëra pa, por s'u kushtoi vëmendje, veshët hapur i pati, por nuk dëgjoi. I pëlqeu Zotit, për hir të drejtësisë së tij, ta madhërojë ligjin e ta bëjë të lavdishëm. Një popull i plaçkitur e i vjedhur është ky, të gjithë të prangosur nëpër gropa, nëpër burgje i kanë mbyllur. Janë bërë pre e askush nuk i çliron, janë bërë plaçkë e askush s'thotë: «Ktheji!». Kush prej jush po i vë vesh kësaj? Kush prej jush do t'i kushtojë vëmendje e do të dëgjojë për të ardhmen? Kush e bëri Jakobin pre të plaçkitësve? Kush e la Izraelin në dorë të kusarëve? A nuk qe Zoti, kundër të cilit mëkatuam? E, pra, udhëve të tij nuk deshën të ecnin, ligjit të tij nuk iu bindën. Furinë e zemërimit të tij mbi ta e derdhi, bashkë me tmerrin e luftës. I rrethoi zjarri nga të gjitha anët, por as që e kuptuan, i përpinë flakët, por vesh nuk morën. E tani kështu thotë Zoti, ai që të krijoi, o Jakob, ai që të dha trajtë, o Izrael: mos ki frikë, se të kam shpenguar, të kam thirrur me emër, i imi je ti! Kur të kalosh përmes ujërave, me ty do të jem, kur të përshkosh lumenjtë, nuk do të mbytesh, se do të kalosh nëpër zjarr e s'do të digjesh, flaka ty nuk do të të përvëlojë, se unë jam Zoti, Perëndia yt, i shenjti i Izraelit, shpëtimtari yt. Për ty dhashë si peng Egjiptin, me ty këmbeva Kushin e Sebën. Ti je i çmuar në sytë e mi, ke vlerë e unë të dua. I jap njerëzit në këmbim për ty, popujt në këmbim të jetës sate. Mos ki frikë, se unë jam me ty, pasardhësit e tu do t'i kthej prej lindjes, do t'ju mbledh bashkë prej perëndimit. Veriut do t'i them: «Dorëzoma!» e jugut: «Mos i mbaj!». Ktheji bijtë e mi prej së largu, bijat e mia prej skajeve të tokës, tërë ata që thirren me emrin tim, që i krijova për nderin tim, që u dhashë trajtë e i bëra. Nxirre jashtë popullin e verbër, ndonëse ka sy, popullin e shurdhër, ndonëse ka veshë. Gjithë kombet le të mblidhen bashkë, popujt le të bashkohen! Kush prej tyre e shpalli këtë apo na i paratha gjërat e kaluara? Le të sjellin, pra, dëshmi, për t'u përligjur, le t'i dëgjojnë, që të thonë: «Është e vërtetë!». Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti, shërbëtorët e mi, që vetë i zgjodha, që të më njihni e të besoni në mua, që të kuptoni se unë jam. Para meje nuk kishte asnjë perëndi e pas meje tjetër s'do të ketë. Unë e vetëm unë jam Zoti, veç meje shpëtimtar tjetër s'ka. Unë shpalla e unë shpëtova, unë parathashë e perëndi tjetër mes jush s'kishte. Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti, e unë jam Perëndia. Që prej amshimit unë jam po ai, asgjë s'i shpëton dorës sime, çka bëj unë, kush mund ta zhbëjë? Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt, i shenjti i Izraelit: Për hirin tënd do ta sulmoj Babiloninë e do t'i rrëzoj të gjithë vargonjtë. Brohoritjet e kaldenjve në kujë do t'i kthej. Unë jam Zoti, i shenjti juaj, krijuesi i Izraelit, mbreti yt. Kështu thotë Zoti, që udhë hapi në det, shteg kalimi mes ujërave të furishme, që bëri të dalin karroca lufte e kuaj, ushtri e luftëtarë trima, që u plandosën e më s'u ngritën, që u shuan e si kandili u fikën: Mos i kujtoni më ngjarjet e shkuara, ndodhitë e qëmoçme mos i mendoni. Ja, po bëj një gjë të re, një gjë që tani po çel! A nuk e shihni? Udhën po hap përmes shkretëtirës, lumenj në vendin e shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi, çakejtë e këlyshët e strucit, se ujin çova në shkretëtirë, lumenjtë në vendin e shkretë, që t'i jap për të pirë popullit tim, të zgjedhurit tim, popullit që e krijova për vete e që do të shpallë lavdinë time. Por ti nuk më thirre mua, o Jakob, përkundrazi, u lodhe me mua, o Izrael. S'më kushtove qengja si fli shkrumbimi, me flitë e tua nuk më nderove, s't'u bëra barrë e s'të kërkova fli, nuk të lodha e s'të kërkova temjan. Për mua s'bleve me para kanellë, nuk më ngope me dhjamin e flive të tua. Përkundrazi, më rëndove me mëkatet e tua, me paudhësitë e tua më lodhe. Unë, unë jam ai që, për hirin tim, i shlyej paudhësitë e tua, e mëkatet e tua nuk i kujtoj. Bëmë të kujtohem e le të bëjmë gjyq bashkë, fol e përligj vetveten. Ati yt i parë mëkatoi, ndërmjetësit e tu u ngritën kundër meje. Prandaj prijësit e shenjtërores i çnderova, Jakobin ia dorëzova shfarosjes dhe Izraelin poshtërimit. E tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im, dhe ti, o Izrael, i zgjedhuri im. Kështu thotë Zoti, që të krijoi, që të dha trajtë që në ngjizje, ndihmëtari yt: mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob, o Jeshurun, i zgjedhuri im. Se do të dikoj ujëra mbi tokë të etur, përrenj në tokë të thatë, shpirtin tim do të dikoj mbi farën tënde, bekimin tim mbi pasardhësit e tu. Do të rriten ata mes barit, si shelgjet pranë rrjedhave të ujit. Njëri do të thotë: «I Zotit jam unë», tjetri do të mbajë emrin e Jakobit. Një tjetër do të shkruajë me dorën e vet: «I Zotit jam» dhe emrin e Izraelit do të mbajë. Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit, shpenguesi i tij, Zoti i ushtrive: unë jam i pari dhe unë jam i fundit, Perëndi tjetër veç meje s'ka! Kush është si unë? Le ta thotë fort! Le ta shpallë e të ma parashtrojë! Siç i parathashë gjëra të së ardhmes një populli të lashtë, le t'u parathotë edhe ai gjëra që do të ndodhin. Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk jua shpalla e s'jua thashë që më parë? Ju jeni dëshmitarët e mi! A ka Perëndi tjetër veç meje? Tjetër Shkëmb nuk ka e unë nuk njoh askënd. Punuesit e idhujve janë të gjithë një hiç, veprat e tyre të çmuara s'vlejnë asgjë, dëshmitarët e tyre as shohin, as marrin vesh, e kështu do të turpërohen. Kush punoi ndonjë hyjni apo shkriu ndonjë idhull, pa kërkuar përfitim? Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar, se punuesit e tyre s'janë veçse njerëz, le të mblidhen të gjithë bashkë e të dalin para, do të dridhen të gjithë e do të turpërohen. Farkëtari e punon hekurin me darë në zjarr, trajtën ia jep me çekiçë, e rreh me krahun e tij të fuqishëm. E merr mandej uria dhe e lënë fuqitë, ujë nuk pi dhe lodhet e këputet. Gdhendësi e shtrin fijen për të matur drurin, dhe i vë shenjat me laps, e punon drurin me daltë, me rrethor ia shënon anët. I jep mandej trajtë njeriu, një pamje të bukur njeriu, për ta vënë në një tempull. Pret për vete disa cedra, merr qiparis e dru lisi, shkon e zgjedh dru në pyll, mbjell cedër dhe shiu e rrit. Ato i janë dhënë njeriut për t'i djegur, merr njeriu ndonjë prej tyre e ngrohet, ndez zjarrin e pjek bukën. Por bën edhe ndonjë hyjni e përkulet para saj, bën ndonjë idhull e bie përmbys para tij. Me gjysmën e druve ndez zjarrin, me gjysmën tjetër pjek mishin e ha, e pjek mirë mishin e kënaqet. Ngrohet mirë e thotë: «Sa mirë po ngrohem! Po kënaqem me zjarrin». Me ç'i ngel bën edhe ndonjë hyjni, që ta ketë si idhull. Përkulet para tij dhe e adhuron, i lutet e i thotë: «Shpëtomë, se ti je perëndia im». As dinë e as kuptojnë, sytë u janë verbuar, që të mos shohin e zemra e tyre të mos kuptojë. Askush nuk i thërret mendjes, as dinë e as kuptojnë, që të thonë: «Gjysmën e drurit e dogja në zjarr. Poqa bukën mbi prush, poqa mishin dhe e hëngra, e me gjysmën tjetër bëra këtë fëlliqësi. Para punës së drurit do të përkulem vallë?». Ushqehet me hi, e shmang nga udha zemra e tij e mashtruar, nuk di të çlirohet e të thotë: «A nuk është vallë gjë e rreme kjo që mbaj në të djathtën time?». Kujtoji këto, o Jakob, edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im! Unë të dhashë trajtë, shërbëtori im je ti, nuk do të të harroj, o Izrael. I fshiva shkeljet e tua si retë e zeza, mëkatet e tua porsi mjegullën, kthehu tek unë, sepse unë të shpengova. Ngazëlloni, o qiej, se veproi Zoti, gëzohuni, o thellësi të tokës, merrjani këngës së lavdërimit, o male, edhe ju, o pyje e çdo pemë e tyre, se Zoti e shpengoi Jakobin e në Izrael shfaqi lavdinë. Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt, ai që të dha trajtë që në bark të nënës: unë jam Zoti, ai që krijoi gjithçka, që i vetëm i ndehu qiejt, e tokën rrafsh e shtriu! Kush, pra, qe me mua? Unë i bëj të kota parashikimet e shortarëve, magjistarët i bëj të marrë, njerëzit e urtë i bëj të sprapsen, dijen e tyre e kthej në marrëzi. Unë e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim, shestimet e të dërguarve të mi i përmbush, Unë i them Jerusalemit se do të ketë banorë, qyteteve të Judës se do të rindërtohen e rrënojat e saj do të ringrihen. Unë i them humnerës së detit: «Thahu, lumenjtë e tu kam për t'i shterur». Unë them për Kirin: «Ai është bariu im, gjithçka që unë dua do ta çojë ai në vend». Unë i them Jerusalemit: «Ndërtohu!», i them tempullit: «Ngriji sërish themelet!». Kështu thotë Zoti për Kirin, të vajosurin e tij: e kam kapur nga dora e tij e djathtë, për të nënshtruar para tij kombet, për t'ua hequr brezin nga ijët mbretërve, dyert para tij për t'i hapur e portat pas tij s'do të mbyllen. Para teje do të eci unë e maloret do t'i rrafshoj, portat prej bronzi do t'i copëtoj, shulat prej hekuri do t'i thyej. Do të të jap thesare të fshehta, pasuri të ruajtura në fshehtësi, që ta dish se unë jam Zoti, Perëndia i Izraelit, që të thirra me emër. Për hir të shërbëtorit tim, Jakobit, dhe Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të kam thirrur në emër. Ta bëra këtë nder, ndonëse ti nuk më njihje. Unë jam Zoti e tjetër s'ka, përveç meje nuk ka Perëndi, unë t'i kam ngjeshur armët, ndonëse ti nuk më njihje, që ta dinë prej lindjes së diellit e deri në perëndim, se tjetër veç meje s'ka. Unë jam Zoti e tjetër s'ka. Unë i jap trajtë dritës, unë e krijoj natën, unë e sjell paqen, unë e shkaktoj fatkeqësinë. Unë, pra, jam Zoti, që i krijoi të gjitha këto. Vesoni, o qiej, prej së larti, o re, pikëloni drejtësi, le të hapet toka, le të prodhojë shpëtim, le të bëjë të mbijë edhe drejtësia. Unë jam Zoti, unë i kam krijuar. Mjerë kush i kundërvihet krijuesit të vet, se një copëz ene prej balte është! A mund t'i thotë balta poçarit: «Ç'po bën?» apo t'i thotë: «Vepra jote nuk paska vegë?». Mjerë kush i thotë atit të vet: «Ç'paske lindur?» apo nënës së vet: «Ç'paske pjellë kështu?». Kështu thotë Zoti, i shenjti i Izraelit, ai që të dha trajtë: pse, për të ardhmen e bijve të mi dashkeni të më pyesni? Për veprën e duarve të mia dashkeni të më urdhëroni? Unë e krijova tokën, njeriun mbi të unë e bëra. Unë i shpalosa qiejt me duart e mia, mbarë ushtrinë qiellore unë e urdhëroj. Unë e ngrita, pra, Kirin, që të bëjë drejtësi, e të gjitha udhët do t'ia drejtoj. Ai do ta ndërtojë qytetin tim, të robëruarit e mi ai do t'i kthejë, pa shpërblim e pa dhurata, thotë Zoti i ushtrive. Kështu thotë Zoti: Prodhimi i Egjiptit, tregtia e Kushit e trimat shtatlartë të sabaitëve te ti do të kalojnë e të tutë do të jenë, pas teje do të vijnë, të prangosur do të ecin, para teje do të përkulen, ty do të të përgjërojnë duke thënë: «Vetëm me ty është Perëndia, Perëndi tjetër veç tij nuk ka». Vërtet ti je Perëndi i fshehur, Perëndia i Izraelit, shpëtimtari! Do të turpërohen e do të skuqen të gjithë, të turpëruar do të ecin ata që bëjnë idhujt. Izraeli është i shpëtuar nga Zoti, me shpëtim të amshuar, nuk do të turpërohet e nuk do të skuqet për gjithë amshimin. Se kështu thotë Zoti, që krijoi qiejt, ai, Perëndia, që i dha trajtë tokës dhe e krijoi, që ia vuri themelet e të shkretë nuk e bëri, por e krijoi që të banohet: Unë jam Zoti e tjetër s'ka. Nuk kam folur në fshehtësi, në një qoshe të errët të tokës. Nuk u thashë pasardhësve të Jakobit, që të më kërkojnë në vend të shkretë. Unë jam Zoti, të drejtën them e drejtësinë shpall. Ejani e mblidhuni, afrohuni të gjithë ju, o të mbijetuarit e kombeve. Asgjë s'dinë ata që mbartin idhuj druri e i luten një hyjnie që s'i shpëton dot. Flisni, pra, dhe parashtrojeni çështjen, këshillohuni të gjithë së bashku! Kush e paratha këtë qëmoti, kush e shpalli këtë që më parë? A nuk isha unë, Zoti? Perëndi tjetër veç meje s'ka. Perëndi të drejtë e shpëtimtar përveç meje nuk ka. Kthehuni tek unë e shpëtoni, mbarë ju, o skajet e dheut! Se unë jam Perëndia, tjetër veç meje s'ka! Jam përbetuar për veten time, nga goja ime ka dalë drejtësi, një fjalë që s'do të merret mbrapsht, se para meje do të përkulet çdo gju e çdo gjuhë do të betohet për mua. Do të thonë për mua: «Vetëm në Zotin e gjej drejtësinë e forcën». Tek ai do të vijnë të turpëruar të gjithë sa qenë zemëruar kundër tij. Në Zotin do të bëhen të drejtë e do të përlëvdohen mbarë pasardhësit e Izraelit. Ra Beli, u rrëzua Neboja! Idhujt e tyre janë ngarkuar mbi kafshë e mbi bagëti. Barrët, që ju i mbanit, rëndojnë mbi kafshët e këputura. Kanë rënë, janë rrëzuar të gjitha, ngarkesën nuk e shpëtojnë dot, edhe ato vetë po shkojnë në robëri. Më dëgjoni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë ju, o teprica e shtëpisë së Izraelit, ju që ju kam mbajtur që në bark të nënës, që ju kam mbartur që në ngjizje. Derisa të plakeni, unë jam po ai, derisa të thinjeni, unë do t'ju mbaj. Unë ju kam bërë, unë do t'ju mbart, unë do t'ju mbaj e do t'ju çliroj. Me kë doni të më barazoni e të ngjashëm të më bëni? Me kë doni të më krahasoni, që të njëjtë të jemi? Nga kuleta e nxjerrin arin, argjendin në peshore e matin, paguajnë argjendarin që t'ua punojë hyjninë, bien përmbys para saj dhe e adhurojnë. E ngrenë mandej mbi supe për ta mbartur, në vendin e duhur e vendosin. Atje qëndron, s'luan vendit, edhe po t'i thërrasësh, nuk përgjigjet, nga fatkeqësia nuk shpëton askënd. Kujtohuni për këtë e mbahuni fort! Thellohuni për këtë në zemrat tuaja, o të paudhë! Kujtohuni për gjërat e tejshkuara, se unë jam Perëndia e tjetër s'ka, unë jam Perëndia e të ngjashëm me mua s'ka. Që nga fillimi e paralajmëroj të ardhmen, qëmoti, ngjarjet që s'kanë ndodhur ende. Ju them se qëllimi im do të përmbushet e gjithë dëshirat e mia do të plotësohen. Nga lindja e thërras shpendin grabitqar, nga vendi i largët atë njeri për qëllimin tim. E kam thënë e do ta sjell, e kam shestuar e do ta bëj. Më dëgjoni mua, o zemërgurë, ju që i rrini larg drejtësisë. Drejtësia ime po afron, nuk është larg, shpëtimi im nuk ka për të vonuar, Sionit do t'i sjell shpëtimin, lavdinë time, Izraelit. Zbrit e në pluhur ulu, o virgjëreshë, bijë e Babilonisë! Ulu përdhe, se s'ka më fron, o bija e kaldenjve! Më nuk do të të quajnë «E ëmbël dhe e brishtë». Merr mokrën e bluaj miellin, hiqe velin e ngrije cepin e fustanit, zbathi këmbët e kalo lumin. Le të zbulohet lakuriqësia jote, le të duket edhe turpi yt! Kam për të marrë hak e askush s'do të më ndalë. Shpenguesi ynë është i shenjti i Izraelit, Zot i ushtrive është emri i tij. Rri në heshtje, fshihu në errësirë, o bija e kaldenjve, se më nuk do të të quajnë «Zonja e Mbretërive». I zemëruar isha kundër popullit tim, e çnderova trashëgimin tim, e lashë në dorën tënde. Mëshirë për ta ti nuk pate, mbi pleqtë rëndë e vure zgjedhën tënde. E the: «Zonjë do të jem përgjithmonë», këto gjëra në zemër nuk i peshove, për fundin tënd as që u kujtove. E tani, dëgjo, moj epshndjellëse, ti që rri në vend të sigurt, që thua në zemrën tënde: «Unë, përveç meje tjetër s'ka. E ve s'kam për të mbetur, humbje fëmijësh s'do të njoh». Por do të të gjejnë këto dy të këqija njëherësh e brenda ditës. Humbja e fëmijëve dhe vejëria do të bien me vrull mbi ty, për shkak të magjive të tua të shumta, prej shumicës së yshtjeve të tua. Shpresove në ligësinë tënde, «Nuk më sheh askush», the. Urtia e dija jote të mashtruan, në zemrën tënde thua: «Unë, përveç meje tjetër s'ka». Do të vijë mbi ty e keqja e nuk do të dish ta dëbosh, do të bjerë mbi ty fatkeqësia e nuk do të mund ta ndalësh, papritur do të vijë mbi ty shkatërrimi e nuk do të kuptosh asgjë. Qëndro, pra, në yshtjet e tua, me magjitë e tua të shumta, që i ke ushtruar që në rini. Ndoshta do të përfitosh, ndoshta do të ndjellësh frikë. Të lodhën këshilltarët e tu të shumtë! Le të ngrihen, pra, le të të shpëtojnë ata që qiellin matin, ata që trupat qiellore vëzhgojnë, ata që bëjnë parashikime për çdo hënë të re e të thonë se ç'do të të ndodhë. Ja, janë bërë porsi byku, zjarri i ka djegur! As veten s'e shpëtojnë dot nga flakët. Nuk do të ketë më prush për t'u ngrohur, as zjarr para të cilit të ulesh. Të tillë janë ata për të cilët u mundove, ata me të cilët dhe e more që në rini, secili ka shkuar në punë të vet e ty s'të shpëton askush. Dëgjoje këtë, o shtëpi e Jakobit, ju që mbani emrin e Izraelit, që keni dalë prej burimeve të Judës, që betoheni në emër të Zotit, që përkujtoni Perëndinë e Izraelit, por pa besnikëri e drejtësi. Ata mbajnë emrin e qytetit të shenjtë dhe mbështeten te Perëndia i Izraelit, që e ka emrin Zoti i ushtrive. Unë i shpalla që më parë gjërat e shkuara, prej gojës sime dolën, unë i lajmërova. Veprova menjëherë e ato ndodhën. Sepse e dija se je kokëfortë, se zverku yt është shufër hekuri e se ballin e ke prej bronzi. Që atëherë ta parathashë, para se të ndodhte të lajmërova, që të mos thuash: «Këtë e bëri idhulli im. Shëmbëlltyra e gdhendur, bashkë me shtatoren e shkrirë, i urdhëruan këto». E dëgjove këtë dhe e ke parë me sy, përse nuk dashke ta pohosh? E tani po të shpall gjëra të reja, të fshehta, që s'i ke ditur më parë. Këto sapo u bënë e nuk janë qëmoti, para ditës së sotme, s'i kishe dëgjuar, që të mos thuash: «Ja, unë i dija!». Jo, as i ke dëgjuar, as i ke ditur, veshi yt nuk ka qenë hapur asokohe. Ja, unë e dija se me pabesi do të veproje, se do të quheshe «kryeneç» që në bark të nënës. Për hir të emrit tim do ta mbaj zemërimin, për lavdinë time do të përmbahem ndaj teje, që mos të të shfaros. Ja, të pastrova, por jo si argjendin, të sprovova në furrën e mjerimit. Për vete, për veten time e bëra këtë, që të mos më shajnë; lavdinë time tjetërkujt s'ia jap. Më dëgjo, o Jakob, dhe ti, o Izrael, i thirruri im: Unë jam po ai, unë jam i pari dhe unë jam i fundit. Me dorën time e themelova tokën, me të djathtën time i shtriva qiejt. Kur unë u thërras, paraqiten të gjithë bashkë. Bashkohuni të gjithë e dëgjoni! Cili prej tyre i ka parathënë këto? Ai që e do Zotin, do të bëjë dëshirën e tij, kundër Babilonisë e kundër kaldenjve do ta ngrejë krahun e tij. Unë, unë fola dhe e thirra, unë e solla dhe mbarë do t'i shkojë udha. Afrohuni tek unë, dëgjojeni këtë: që në fillim, kurrë nuk fola fshehtazi, qëmoti, para se të ndodhte, unë isha aty; e tani Zoti Perëndi më dërgoi, bashkë me shpirtin e tij. Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt, i shenjti i Izraelit: Unë jam Zoti, Perëndia yt, ai që të mëson për të mirën tënde, që të prin udhës ku duhet të shkosh. Po të kishe qenë i kujdesshëm me urdhërimet e mia, si lumi do të rridhte paqja jote, drejtësia jote si valët e detit. Fara jote do të kishte qenë si rëra, pasardhësit e tu porsi kokrrat e saj, emri i tij nuk do të ishte shuar, nuk do të ishte fshirë para meje. Dilni prej Babilonisë, ikni larg kaldenjve! Lajmëroni me zë gëzimi, shpalleni këtë, dërgoni lajm deri në skajet e tokës, thoni: «E shpengoi Zoti shërbëtorin e tij, Jakobin». S'patën etje kur nëpër shkretëtirë u printe, nxori për ta ujë prej shkëmbit, e çau shkëmbin e rrodhën ujërat. Nuk ka paqe, thotë Zoti, për të paudhët. Dëgjomëni, o ujdhesa, bëni kujdes, o popuj të largët! Zoti më thirri që në ngjizje, e kujtoi emrin tim që kur isha në bark të nënës. Gojën time e bëri si shpata e mprehtë, nën hijen e dorës së tij më mbajti fshehur, më bëri të jem një shigjetë që shndrin, në kukurën e vet ai më fshehu. E më tha: «Ti je shërbëtori im, o Izrael, në të cilin do të dëftej lavdinë time». E unë thashë: «Më kot u mundova, më kot i shterova fuqitë e mia, e drejta ime është pranë Zotit, shpërblimi im është te Perëndia im». Kështu thotë tani Zoti, ai që më dha trajtën e shërbëtorit të vet që në barkun e nënës, për të kthyer tek ai Jakobin, për të mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm në sytë e Zotit, Perëndia im u bë fuqia ime. Ai më tha: «Tepër pak është të jesh shërbëtori im, për të ringritur fiset e Jakobit, për të rikthyer tepricën e Izraelit. Po të caktoj si dritë të popujve, që të jesh shpëtimi im deri në skajet e tokës». Kështu i thotë Zoti, shpenguesi i Izraelit, i shenjti i Izraelit, atij që e përbuzin njerëzit, atij që e përçmojnë kombet, skllavit të sundimtarëve: Mbretërit do të shohin e do të ngrihen në këmbë, princat do të bien përmbys, për shkak të Zotit, që është besnik, të shenjtit të Izraelit, që të zgjodhi ty. Kështu thotë Zoti: Në kohën e duhur të jam gjendur, ditën e shpëtimit të kam ndihmuar. Të kam ruajtur, të kam caktuar të jesh besëlidhja e popullit, që vendin ti ta përtërish, që të rindash trashëgimitë e shkatërruara, për t'u thënë të burgosurve: «Dilni!», atyre që janë në errësirë: «Shfaquni!». Përgjatë udhëve do të kullotin, kullotat do t'i kenë mbi çdo kodër të zhveshur. Nuk do të kenë uri, nuk do të kenë etje, nuk do t'u bjerë as vapa e as dielli, se do t'u prijë ai që ka mëshirë për ta, nëpër burime ujërash do t'i çojë. Gjithë malet e mia në udhë do t'i kthej, rrugët e mia të mëdha më lart do t'i ngre. Ja, këta do të vijnë nga larg, ata nga veriu e perëndimi, të tjerë nga dheu i Sinimit. Ngazëlloni, o qiej, gëzohu ti, o tokë, brohoritni ju, o male, se Zoti e ngushëllon popullin e vet, është i mëshirshëm me të varfrit e tij. Sioni tha: «Më braktisi Zoti, Zoti më ka harruar». A mund ta harrojë gruaja foshnjën e vet e të mos i dhimbset fryti i barkut të vet? Por edhe sikur ato të harronin, unë ty nuk të harroj! Ja, të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia, muret e tua gjithmonë para syve i kam. Bijtë e tu po vijnë me nxitim, ata që të rrënuan e të shkatërruan po ikin prej teje. Ngriji sytë rreth e qark e shiko, të gjithë po mblidhen e po vijnë te ti! Pasha jetën time, kumton Zoti, do t'i veshësh të gjithë si stoli, porsi nusja do të ngjishesh me ta. Se rrënojat e gërmadhat e tua, bashkë me vendet e tua të shkretuara, të ngushta do të jenë tani për banorët e tu, ndërsa ata që të përpinin, larg do t'ia mbathin. Edhe bijtë e atyre që t'i kishin rrëmbyer do të të thonë në vesh: «Tepër i ngushtë është ky vend për mua, më bëj vend, që të mund të banoj». Atëherë ti do të thuash në zemër: «Po këta prej kujt më lindën? Unë nuk mund të lindja dhe shterp isha, në mërgim dhe dëbuar kam qenë. Po këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, këta, vallë, nga më dolën?». Kështu thotë Zoti Perëndi: Ja, do ta ngre dorën drejt kombeve, për nga popujt do ta ngre flamurin. Në krahë do t'i sjellin atëherë bijtë e tu, bijat e tua do t'i mbajnë mbi supe. Mbretërit do të jenë birësuesit e bijve të tu, princeshat e tyre, mëndeshat e tua. Me fytyrë përdhe do të përkulen para tyre, do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua. Atëherë do ta dish se unë jam Zoti, ata që shpresojnë në mua s'do të turpërohen. A mund t'i merret vallë preja të fortit? A mund të shpëtojë i drejti prej robëruesit? Se kështu thotë Zoti: Robërit do t'i merren edhe të fortit, preja do t'i rrëmbehet tiranit. Kundërshtarëve të tu do t'u kundërvihem e bijtë e tu do t'i shpëtoj. Ata që të shtypin do t'i bëj të hanë mishin e vet, si me musht me gjakun e vet do të dehen. Çdo qenie atëherë do ta dijë se unë jam Zoti, shpëtimtari yt, jam shpenguesi yt, i fuqishmi i Jakobit. Kështu thotë Zoti: ku është fletëndarja e nënës tënde, me të cilën unë e paskam dëbuar? Kush është huadhënësi, tek i cili ju paskam shitur? Ja, u shitët prej paudhësive tuaja, prej shkeljeve tuaja u dëbua nëna juaj. Përse kur erdha nuk ishte askush, kur thirra, nuk u përgjigj kurrkush? Pse, qenka shkurtuar dora ime, që të mos ju shpengoj? Pse, më paskan lënë fuqitë, që të mos ju çliroj? Ja, me një kërcënim e thaj detin, të shkretë i bëj lumenjtë, qelbet peshku i tyre për mungesë uji, ngordhin ata nga etja. Unë i vesh qiejt në të zi, grathoren për mbulesë u vë. Zoti Perëndi më dha gjuhë nxënësi, që me fjalë t'i jap forcë të lodhurit. Çdo mëngjes herët ma bën gati veshin, që të dëgjoj, siç dëgjon nxënësi. Zoti Perëndi m'i ka hapur veshët e unë s'ngrita krye e as nuk u tërhoqa. Shpinën ua ktheva atyre që më godisnin, faqet atyre që më shkulnin mjekrën, fytyrën unë nuk e fsheha prej sharjeve e të pështyrave. Zoti Perëndi, ai më ndihmon, prandaj dhe s'mbeta i poshtëruar, fytyrën e bëra të fortë si stralli, sepse e di se s'do të turpërohem. Pranë meje është ai që më jep të drejtë, kush mund të bëjë gjyq me mua? Le të dalim bashkë para gjykatësit, kush do të jetë kundërshtari im? Le të vijë pranë meje! Ja, Zoti Perëndi, ai më ndihmon, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë do të vjetrohen si rroba, tenja ka për t'i brejtur. Kush prej jush e druan Zotin, le ta dëgjojë zërin e shërbëtorit të tij. Kush ecën në errësirë e nuk ka dritë, le të shpresojë tek emri i Zotit e të mbështetet te Perëndia i tij. E të gjithë ju që ndizni zjarr e që ngjisheni me shigjeta zjarri, shkoni në flakët e zjarrit tuaj mes shigjetave që keni ndezur. Këtë gjë do t'jua bëjë dora ime, me dhimbje në shtrat do të lëngoni. Më dëgjoni, ju që ndiqni pas drejtësinë, ju që kërkoni Zotin, shikoni shkëmbin, prej të cilit u pretë, gropën e gurores, prej së cilës dolët. Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju lindi! I vetëm ishte kur e thirra, por e bekova dhe e shtova. Kështu Zoti do ta ngushëllojë Sionin, do të ngushëllojë të gjitha rrënojat e tij. Shkretëtirën e tij do ta bëjë si Edenin, djerrinën e tij porsi kopshtin e Zotit. Në të do të dëgjohen gëzim e hare, falënderime e tinguj këngësh. Dëgjomë me kujdes, o populli im, vëmë vesh, o kombi im! Se prej meje do të dalë ligji, drejtësinë time do ta bëj dritë për popujt. Afër është drejtësia ime, mbërriti shpëtimi im! Krahu im do të gjykojë popujt, ujdhesat tek unë do të shpresojnë, në krahun tim do të shpresojnë. Ngrijini sytë lart në qiell, vështroni tokën poshtë. Qiejt do të davariten si tymi, toka do të vjetrohet si rroba, banorët e saj si vemja do të vdesin. Por shpëtimi im do të mbetet përjetë, drejtësia ime nuk do të thyhet kurrë. Dëgjomëni, pra, ju që e njihni drejtësinë, ti, o popull, që ligjin tim e ke në zemër! Mos kini frikë nga fyerjet e njerëzve, mos u trembni nga sharjet e tyre. Sepse tenja do t'i brejë si rrobën, mola do t'i hajë si leshin. Por drejtësia ime do të mbetet përjetë, shpëtimi im, brez pas brezi. Zgjohu, zgjohu, ngjishu me fuqi ti, o krahu i Zotit! Zgjohu si në ditët e moçme, si në breznitë e kahershme! A nuk ishe ti që e copëtove Rahabën, që tejpërtej e shpove përbindëshin? A nuk ishe ti që e thave detin, ujërat e humnerës së thellë, që fundin e detit e bëre udhë, për të kaluar ata që shpengove? Të shpërblyerit e Zotit do të kthehen, do të vijnë në Sion duke brohoritur, gëzimi do të jetë përherë mbi kokat e tyre, do t'i pushtojë gëzimi e hareja, dhimbja e rënkimi do të marrin fund. Unë, unë jam ai që të ngushëllon, kush je ti që trembesh nga njeriu i vdekshëm, nga biri i njeriut që është si bari? E ke harruar Zotin, që të krijoi, që shtriu qiejt e themeloi tokën. Gjithë ditën je përherë i frikësuar prej furisë së shtypësit, që është bërë gati të të shkatërrojë. Po përse është zemëruar vallë shtypësi? I robëruari i kërrusur shpejt do të çlirohet, në gropë nuk do të vdesë e buka s'do t'i mungojë. Unë jam Zoti, Perëndia yt, që e trand detin e i buçasin valët, Zot i ushtrive është emri i tij. Fjalët e mia i vura në gojën tënde, me hijen e dorës sime të mbulova. Unë, që mbolla qiejt e tokën themelova, unë i them Sionit: «Ti je populli im». Zgjohu, zgjohu, ngrihu, o Jerusalem, ti që prej dorës së Zotit kupën e zemërimit të tij pive, që pive kupën e trullosjes, e pive sa e kullove krejt. Nuk ka kush të të udhëheqë ndër bijtë që ke lindur, s'ka kush të të marrë për dore ndër bijtë që ke rritur. Dy të këqija të kanë gjetur, kujt do t'i vijë keq për ty? Rrënim e shkatërrim, uri e shpatë, kush do të të ngushëllojë? Bijtë e tu janë tretur e po dergjen në krye të çdo rruge, si antilopa e zënë në lak, mbushur plot me zemërimin e Zotit, plot me kërcënimin e Perëndisë tënd. Prandaj, dëgjoje këtë, o e mjerë, o e dehur, por jo me verë. Kështu thotë Zoti, Zoti e Perëndia yt, ai që mbron çështjen e popullit tënd: Ja, po ta heq nga dora kupën e trullosjes, llumin e kupës së zemërimit tim. Më prej saj nuk do të pish. Do t'ua vë në dorë atyre që të kanë pikëlluar, atyre që ty të thoshin: «Shtrihu përtokë që të kalojmë mbi ty». E ti urë e bëje shpinën tënde, porsi udhë për kalimtarët. Zgjohu, zgjohu, ngjishu me fuqi, o Sion, vishi rrobat e tua më të bukura, o Jerusalem, qyteti i shenjtë, se te ti nuk do të vijë më kurrë i parrethpreri e i papastri. Shkunde pluhurin, ngrihu, o Jerusalem i robëruar, zgjidhi vargonjtë që ke në qafë, o e robëruara bijë e Sionit. Se kështu thotë Zoti: Ju shitën për hiçgjë, por pa para do të shpengoheni. Se kështu thotë Zoti Perëndi: populli im zbriti dikur në Egjipt për të jetuar. Mandej erdhën asirianët dhe e shtypën pa shkak. E tani ç'fitoj unë këtu, kumton Zoti, kur popullin tim e rrëmbyen pa shkak? Sunduesit e tij ngadhënjejnë, kumton Zoti, dhe emri im shahet përherë tërë ditën. Prandaj populli im do ta njohë emrin tim, prandaj atë ditë do ta dijë se unë jam ai që thoshte: «Ja ku jam!». Sa të bukura janë mbi male këmbët e lajmëtarit, të atij që shpall lajmin e paqes, që shpall shpëtimin e i thotë Sionit: «Perëndia yt mbretëron!». Rojtarët e tu po thërrasin, po ngrenë tok zërin e po brohorasin, se me sytë e tyre po shohin Zotin që kthehet në Sion. Shpërtheni së bashku në britma gëzimi, o rrënojat e Jerusalemit, se Zoti i jep ngushëllim popullit të tij, Jerusalemin po e shpengon. Se Zoti e zhveshi krahun e tij të shenjtë në sytë e mbarë kombeve. Mbarë skajet e tokës do ta shohin shpëtimin e Perëndisë tonë. Nisuni, nisuni, dilni prej andej, mos prekni asgjë të papastër, dilni prej Babilonisë e pastrohuni, o ju që mbartni enët e Zotit. Se nuk do të dilni me nxitim, me ngut nuk do të ikni. Para jush do të shkojë Zoti, pas jush do të jetë Perëndia i Izraelit. Ja, shërbëtorit tim do t'i prijë e mbara, do të nderohet, do të lartësohet, shumë do të madhërohet. Të shumtë ata që u shtangën prej tij, kur panë pamjen e njeriut të shfytyruar, kaq ndryshe nga trajta e bijve të njeriut. Kështu, ai do të mahnitë shumë kombe e mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çka nuk u ishte treguar, do të kuptojnë çka nuk kishin dëgjuar. Kush, pra, i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua krahu i fuqishëm i Zotit? Para tij u rrit si filizi, porsi rrënja prej tokës së thatë. S'kishte as pamje, as bukuri, që të na tërhiqte shikimin. S'kishte as paraqitje, që të na pëlqente. I përçmuar, i përbuzur prej njerëzve, njeri i vuajtur, i mësuar me dhimbjen, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përçmuar e krejt pa vlerë prej nesh. Por ja, ai mbajti vurratat tona, dhimbjet tona i mbarti! Për ne, ai ishte njeri i ndëshkuar, i goditur prej Perëndisë, i poshtëruar! E pra, ai u shporua për shkeljet tona, u shtyp për paudhësitë tona. Ndëshkimi që na dha paqen, ra mbi të, prej vurratave të tij ne u shëruam. Të gjithë endeshim si dele të humbura, secili prej nesh ndiqte udhën e vet. E Zoti ngarkoi mbi të paudhësinë e ne të gjithëve. I keqtrajtuar, duroi poshtërimin, gojën nuk e hapi. Porsi qengji, që e çojnë në thertore, si shqerra, që s'bëzan para qethësit, gojën ai nuk e hapi. Me dhunë e me gjyq e mbërthyen, për fatin e tij kush mendoi? Se e zhbinë nga toka e të gjallëve, për shkeljet e popullit tim u godit. Varrin ia vunë me të paudhët, kur vdiq e vunë me pasanikët, ndonëse nuk bëri asgjë të dhunshme e mashtrim prej gojës nuk i doli. Por Zoti deshi ta shtypte përmes dhimbjes, se, po ta jepte veten e tij si fli faji, do të shihte pasardhës e do të jetonte gjatë, e përmes tij dëshira e Zotit do t'ia dalë mbanë. Prej mundimit të vetes së vet, do të arrijë të shohë e do të kënaqet, me dijen e tij shumë do të shfajësojë shërbëtori im i drejtë e mbi vete mëkatet e tyre do të mbartë. Prandaj, do t'i jap turmat si shpërblim, të fuqishmit si plaçkë ai do t'i marrë, se e zbrazi veten deri në vdekje, me të paudhët e radhitën. Mëkatet e shumë njerëzve ai mbarti, për shkelësit ai ndërmjetësoi. Ngazëllohu, o shterpë, që nuk linde, shpërthe e bërtit nga gëzimi, ti, që dhimbjet e lindjes nuk i pate. Ja, bijtë e të braktisurës më të shumtë do të jenë se bijtë e asaj që ka burrë, thotë Zoti. Zgjeroje vendin e tendës sate, shtriji pa kursim pëlhurat e banesës sate, zgjati litarët e tendës sate, hunjtë e saj përforcoji, se do të përhapesh në të djathtë e në të majtë, pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet, qytetet e shkretuara do t'i popullojnë. Mos ki frikë, se nuk do të turpërohesh, mos u skuq, se nuk do të çnderohesh. Turpin e rinisë do ta harrosh, çnderimin e vejërisë më s'do ta kujtosh. Krijuesi yt do të jetë bashkëshorti yt, Zot i ushtrive është emri i tij. Shpenguesi yt është i shenjti i Izraelit, Perëndi i mbarë tokës quhet ai. Se si një grua të lënë, të lënduar në shpirt, të thirri Zoti. «Gruaja e viteve të rinisë a hidhet poshtë?», thotë Perëndia yt. «Për pak kohë të lashë, por nga dhembshuria e madhe po të marr sërish. Kur më shpërtheu zemërimi, e fsheha për një çast fytyrën prej teje, por nga mirësia e amshuar pata dhembshuri për ty», thotë Zoti, shpenguesi yt. «Si në ditët e Noeut është tani për mua, kur u betova se ujërat e Noeut s'do të vërshonin më mbi tokë. Po ashtu betohem se s'do të zemërohem më me ty e më nuk do të të kërcënoj. Malet mund të tunden vendit e kodrat mund të tranden, por mirësia ime për ty s'do të tundet dhe besëlidhja e paqes sime s'do të trandet», thotë Zoti që ka dhembshuri për ty. O e pikëlluar, e rrahur prej stuhive, e pangushëlluar! Ja, me gurë të çmuar do të të ndërtoj, themelet e tua mbi safirë do t'i vendos. Muret e tua prej rubini do t'i bëj, portat e tua me gurë berili, gjithë rrethimin tënd me gurë të çmuar. Të gjithë bijtë e tu do të mësojnë prej Zotit, e madhe do të jetë paqja e bijve të tu! Themelet do t'i kesh në drejtësi, larg do të jesh nga shtypja. Frikë nuk do të kesh e as tmerri nuk do të të prekë. Nëse duan të të sulmojnë, kjo s'do të vijë prej meje. Kush do të të sulmojë, para teje do të bjerë. Ja, unë e krijova farkëtarin, që fryn mbi prushin e zjarrit, që prodhon vegla për punën e tij, por unë krijova edhe shkatërruesin, që të shkatërrojë. Asnjë armë e farkëtuar kundër teje nuk do t'ia dalë mbanë. Çdo gjuhë, që ngrihet në gjyq kundër teje, do të ndëshkohet. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit, e drejta e tyre vjen prej meje, kumton Zoti. O ju të gjithë që keni etje, ejani tek uji! Kushdo që s'ka para le të afrohet! Blini drithë e hani! Ejani e blini verë e qumësht pa para e pa pagesë! Pse i shpenzoni paratë për çka s'është bukë? Përse mundoheni për gjëra që s'ngopin? Dëgjomëni, pra, me kujdes mua e do të hani çka është e mirë dhe shpirti juaj do të kënaqet me gjëra të shijshme. Mbani vesh dhe ejani tek unë! Dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Do të lidh me ju një besëlidhje të amshuar, mirësinë e patundshme që i premtova Davidit. Ja, atë e bëra dëshmitar për popujt, prijës e udhëheqës për kombet. Kështu, do të thërrasësh një komb që s'e njihje, kombe, që s'të njihnin, do të vrapojnë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, të shenjtit të Izraelit, që të madhëroi. Kërkojeni Zotin ndërsa mund të gjendet, thirrini atij për sa kohë është afër. Le të lërë i ligu udhën e tij, i paudhi synimet e tij, le të kthehet te Zoti, që ta mëshirojë, te Perëndia ynë, që fal me gjithë zemër. Se mendimet e mia nuk janë si tuajat, as udhët e mia si udhët tuaja, kumton Zoti. Sa larg është qielli nga toka, aq larg janë udhët e mia nga udhët tuaja, mendimet e mia nga mendimet tuaja. Sikurse shiu dhe dëbora zbresin prej qiellit e më atje nuk kthehen, por e ujitin dhe e zbrujnë tokën, e bëjnë të jetë pjellore, që t'i japë bujkut farën për të mbjellë e bukën për të ngrënë, ashtu edhe fjala ime, që del prej gojës sime, s'do të kthehet pas tek unë e zbrazët, pa ia dalë mbanë gjithçkaje që unë dua e pa bërë atë për çka e dërgova. Ju do të niseni me gëzim prej andej e në paqe do të përcilleni. Para jush malet e kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi, të gjitha pemët e fushave do të trokasin duart. Në vend të ferrave do të rritet qiparisi, në vend të hithrave do të rritet mërsina. Kjo do të jetë nder për Zotin, shenjë e amshuar, që s'do të zhbihet. Kështu thotë Zoti: Mbajeni të drejtën, zbatojeni drejtësinë, se shpëtimi im po afron, drejtësia ime po shfaqet. Lum njeriu që vepron kështu dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që e mban të shtunën pa e përdhosur, që i ruan duart nga çdo ligësi. Biri i të ardhurit, që është bashkuar me Zotin, të mos thotë: « Zoti do të më ndajë patjetër nga populli i vet» e as eunuku të mos thotë: «Ja, unë jam një pemë e tharë». Se kështu u thotë Zoti: «Eunukëve që i mbajnë të shtunat e mia, që zgjedhin të plotësojnë dëshirën time e që ruajnë besëlidhjen time, do t'u jap në shtëpinë time, brenda mureve të mia, një vend përkujtimi dhe një emër më të mirë se të kenë bij e bija. Do t'u jap një emër të amshuar, që s'do të shuhet kurrë. Ndërsa bijtë e të ardhurve që janë bashkuar me Zotin e që i shërbejnë atij, që e duan emrin e Zotit e janë vënë në shërbim të tij, të gjithë sa e mbajnë të shtunën pa e përdhosur e që e ruajnë besëlidhjen time, do t'i shpie në malin tim të shenjtë e do t'u jap gëzim në shtëpinë time të lutjes. Flitë e tyre të shkrumbimit e theroret e tyre do të pranohen në altarin tim, se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh për të gjithë popujt». Kështu kumton Zoti, Zoti im, ai që i mbledh të degdisurit e Izraelit: përveç atyre që kam mbledhur, do të mbledh edhe të tjerë përreth tyre. Mbarë ju, o egërsirat e fushës, ejani të hani, të gjitha ju, o kafshët e pyllit! Të gjithë rojtarët e tij janë verbuar, të paditur janë të tërë. Janë të gjithë qen të pagojë, të paaftë për të lehur. Shohin ëndrra, rrinë shtrirë, u pëlqen të dremitin. Janë qen grykës, që s'dinë të ngopen, janë barinj, që s'kuptojnë asgjë. Secili prej tyre endet udhës së vet, secili synon përfitimin e vet. «Ejani», thonë, «Të pimë verë, të dendemi me pije të forta. E nesërmja do të jetë si sot, madje edhe më mirë». Po merr fund i drejti e askush nuk shqetësohet! Njerëzit besnikë po shfarosen e askush s'e vret mendjen! Po, i drejti po degdiset prej së keqes! Por, paqja vjen, kush ecën udhës së drejtë, do të prehet në shtratin e vet. Afrohuni këtu, o bij të shortares, bij të të përdalit e të lavires. Me kë talleni? Kundër kujt hapni gojën e nxirrni gjuhën? A s'jeni ju bij të paudhësisë e pjellë e mashtrimit? Ju ndizeni në epshe ndër lisa, poshtë çdo peme të harlisur. Fëmijët tuaj i flijoni nëpër lugina, nëpër të çarat e shkëmbinjve. Mes rrëpirave të luginës është pjesa jote, ato, po, ato janë çka të takon. Atyre u kushtove fli stërpikjeje, fli drithi u blatove. Mos vallë prej tyre u dashka të zbutem? Mbi mal të lartë e të thepisur u ngjite e atje shtratin tënd e vure. Atje lart u ngjite fli për të kushtuar. Pas derës e pas pragut i vure përkujtimoret e tua. Fshehtas meje u zhveshe, mbi shtrat u ngjite e shtratin e zgjerove. Marrëveshje me ta ti bëre, shtratin e tyre fort e dëshirove, lakuriqësinë me ëndje ua vështrove. Shkove te mbreti e lyer me vaj, e lyer me shumë erëra të mira. Deri larg i nise lajmëtarët e tu dhe zbrite deri në skëterrë. Prej udhës së gjatë u lodhe, por nuk the: «Është e kotë!». I mblodhe forcat sërish, prandaj dhe nuk u këpute. Prej kujt u tute e pate frikë, që të gënjeje, të më harroje e të mos më kishe për zemër? Kam heshtur për një kohë të gjatë, prandaj dhe nuk ma ke frikën. Ja, unë do ta shpall hapur drejtësinë tënde bashkë me veprat e tua, por kjo s'do të të sjellë dobi. Kur të bërtasësh, le të të shpëtojë moria e idhujve të tu. Por ata do t'i marrë era, do t'i përpijë puhiza. Por, kush kërkon strehë tek unë, do të trashëgojë tokën, do të zotërojë malin tim të shenjtë. «Sheshoni, sheshoni, shtrojeni udhën!», do të thuhet, «Hiqini pengesat nga udha e popullit tim!». Se kështu thotë i Larti e i Tejlarti, ai që banon në amshim, emri i të cilit është i shenjtë: Në vend të lartë e të shenjtë banoj, por edhe pranë atij që pendohet e atij që ka përulësi në shpirt, për t'ua përtërirë shpirtin të përulurve, për t'ua përtërirë zemrën të penduarve. Ja, unë nuk dua të grindem përherë as dua të jem i zemëruar përgjithmonë, se para meje do të këputej çdo shpirt e çdo qenie që unë kam krijuar. Prej paudhësisë së tij të pangopur u zemërova, e godita e i zemëruar prej tij u fsheha. E ai u end me kokëfortësi udhës së zemrës së vet. I njoh mirë udhët e tij, por dua ta shëroj. Do t'i prij, do ta ngushëlloj sërish atë vetë dhe ata që vajtojnë me të. Do të vë fjalë hareje në buzët e tij. Paqe, paqe për atë që është larg e afër, thotë Zoti, e do ta shëroj. Të paudhët janë si deti i trazuar, që nuk di të qetësohet, ujërat e tij nxjerrin llucë e baltë. Nuk ka paqe për të paudhët, thotë Perëndia im. Bërtit fort! Mos u përmba! Ngrije zërin porsi boria! Shpallja popullit tim paudhësitë e veta, shtëpisë së Jakobit mëkatet e veta. Ditë për ditë më kërkojnë, udhët e mia duan t'i njohin, si të ishin një popull, që zbaton drejtësinë, që nuk i braktis vendimet e Perëndisë. Kërkojnë prej meje gjykim të drejtë, dëshirojnë t'i afrohen Perëndisë. «Përse të agjërojmë, kur ti nuk shikon?», thonë. «Përse ta mundojmë veten, kur ti nuk do t'ia dish?». Ja, ditën e agjërimit ju bëni si doni e të gjithë punëtorët tuaj në punë i mbytni. Ju agjëroni mes grindjesh e zënkash, njëri-tjetrin pabesisht me grusht e gjuani. Nëse agjëroni si sot, zëri juaj lart nuk do të dëgjohet. Përse, i tillë qenka agjërimi që unë pëlqej? E tillë dita kur njeriu përul shpirtin e tij? Të ulësh kokën porsi xunkthi e të shtrihesh në grathore e në hi, pse, këtë quan agjërim e ditë që i pëlqen Zotit? Agjërimi që më pëlqen mua, a s'është vallë të këputësh vargonjtë e paudhësisë, të zgjidhësh litarët e zgjedhës, të lësh të lirë të shtypurit, të dërrmosh çdo zgjedhë? A s'është ta ndash bukën me të uriturin, të presësh në shtëpi të varfrin e pastrehë, ta shohësh dikë të zhveshur e ta veshësh, dhe farefisin tënd të mos e lësh pas dore? Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi, shërimi yt do të gëlojë me vrull, përpara do të të prijë drejtësia jote, praparojë do të kesh lavdinë e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do t'i kërkosh ndihmë e do të të përgjigjet: «Ja, ku jam!». Nëse heq dorë prej zgjedhës, prej gishtit paditës e fjalëve të liga, nëse jepesh me shpirt ndaj të pangrënit, nëse ia ngin barkun skamnorit, atëherë drita jote do të shndritë në errësirë e terri yt do të jetë porsi mesdita. Zoti do të të prijë përherë, do të ta kënaqë shpirtin në shkreti, do t'i forcojë kockat e tua, e ti do të jesh si kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave që nuk shterojnë kurrë. Njerëzit e tu do t'i ndërtojnë rrënojat e lashta, do t'i ngresh sërish themelet e lëna brez pas brezi. Kështu ti do të quhesh: «Rindërtuesi i rrënojave, ndreqësi i udhëve për në vendbanim». Nëse e përmban këmbën, që të mos e shkelësh të shtunën, nëse nuk bën ç'të duash në ditën time të shenjtë, por e çmon si kënaqësi të shtunën, si ditën e nderuar e të shenjtë të Zotit, dhe e nderon duke mos u nisur për udhë, duke mos kryer punë e duke mos bërë marrëveshje, atëherë do të gjesh kënaqësi në Zotin e unë do të të bëj të kalërosh mbi lartësitë e tokës, do të të ushqej prej trashëgimisë së Jakobit, atit tënd, se kështu ka folur goja e Zotit. Jo, nuk është shkurtuar dora e Zotit, që të mos shpëtojë! Jo, nuk është rënduar veshi i tij, që të mos dëgjojë! Ishin paudhësitë tuaja që ndarje sollën mes jush e Perëndisë tuaj. Ishin mëkatet tuaja që ia mbuluan fytyrën prej jush, që të mos ju dëgjonte. Duart tuaja janë të lyera me gjak, gishtërinjtë tuaj me paudhësi, buzët tuaja kanë thënë gënjeshtra, gjuha juaj ka belbëzuar fajësi. Askush nuk bën padi me drejtësi, s'ka njeri që të gjykojë me vërtetësi. Besojnë në kotësi e thonë gënjeshtra, ngjizin ligësi e pjellin paudhësi. Thyejnë vezët e nepërkës, që të çelin, tjerrin pëlhura merimange. Kush ha nga vezët e tyre, vdes, prej vezës së thyer lind nepërka. Pëlhurat e tyre s'vlejnë për rroba, me prodhimet e tyre s'mbulohen dot. Vepra e tyre është vepër paudhësie, në duar mbartin frytet e dhunës. Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes, nxitojnë të derdhin gjak të pafajshëm, mendimet e tyre janë mendime paudhësie, shkretim e rrënim janë shtigjet e tyre. Udhën e paqes nuk e njohin, në hapat e tyre s'ka drejtësi, shtigjet i kanë bërë tërë dredha, kush shkel mbi to, s'ka paqe. Prandaj qëndron larg nesh e drejta, drejtësia s'arrin te ne. Pritnim dritën, por ja tek erdhi errësira, pritnim ndriçimin e ja tek ecim në terr. Ecim duke prekur murin si i verbëri, si ata që s'kanë sy ecim verbazi. Pengohemi në mes të ditës si të ishte muzg, mes të gjallëve endemi si të vdekur. Ulërijmë të gjithë si arinjtë, gugatim thekshëm si pëllumbat. Presim drejtësinë, por më kot, shpëtimi është larg nesh. Të shumta janë shkeljet tona para teje, mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh. Po, shkeljet tona janë gjithmonë me ne, paudhësitë tona i njohim mirë. U ngritëm kundër dhe e mohuam Zotin, i kthyem shpinën Perëndisë tonë. Folëm për shtypje e për kryengritje, në zemër ngjizëm e pëshpëritëm fjalë mashtrimi. Kështu e drejta u zmbraps, drejtësia larg qëndroi, e vërteta u pengua shesheve, ndershmëria brenda s'mund të hyjë. Kështu, e vërteta po humbet dhe ai që i shmanget së keqes bie pre e plaçkitjes. Zoti pa e s'i pëlqeu, se nuk ka më drejtësi. Pa se nuk u gjend askush, u habit që askush s'ndërhyri. Prandaj e ndihmoi me krahun e tij, e mbështeti me drejtësinë e tij. Si parzmore veshi drejtësinë, mbi kokë vuri përkrenaren e shpëtimit, u vesh me petkat e hakmarrjes, u mbështoll me zellin si me rrobë. Do t'i shpaguajë sipas veprave të tyre, zemërim kundërshtarëve, ndëshkim armiqve, do t'i shpaguajë edhe popujt e ishujve. Në perëndim do ta druajnë emrin e Zotit, në lindje të diellit, lavdinë e tij, kur ai të vijë si përrua i rrëmbyer që e shtyn fort era e Zotit. Një shpengues do të vijë në Sion për bijtë e Jakobit që pendohen për paudhësinë, kumton Zoti. Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ta, thotë Zoti: Shpirti im do të jetë mbi ty dhe fjalët e mia, që i vura në gojën tënde, nuk do të largohen as prej gojës sate, as prej gojës së pasardhësve të tu e as prej gojës së bijve të pasardhësve të tu, thotë Zoti, që tani e deri në amshim. Ngrihu e shkëlqe, se po vjen drita jote! Lavdia e Zotit mbi ty po agon! Ja, tokën po e mbulon terri, popujt errësira e thellë, ndërsa mbi ty do të agojë Zoti, lavdia e tij mbi ty do të shfaqet. Drejt dritës sate do të ecin kombet, mbretërit drejt shkëlqimit të agimit tënd. Ngriji sytë përreth e shiko, janë mbledhur të gjithë e po vijnë te ti. Prej së largu do të vijnë bijtë e tu, bijat e tua do të sillen në krahë. Atëherë do të shohësh e do të shkëlqesh, zemra fort do të të rrahë, se pasuritë e detit mbi ty do të derdhen e të mirat e kombeve te ti do të vijnë. Një mori devesh do të të mbulojë, gamile prej Midianit dhe Efahut, të gjithë do të vijnë prej Shebës. Ar e temjan do të mbartin e do të shpallin lavdërimet e Zotit. Gjithë dhentë e Kedarit do të mblidhen te ti, deshtë e Nebajotit do të jenë në shërbimin tënd. Do të kushtohen si fli e pëlqyeshme mbi altarin tim e do ta madhëroj më shumë tempullin tim të lavdishëm. Ç'janë ato që fluturojnë si retë, porsi pëllumbat drejt foleve të tyre? Ja, ishujt e largët tek më presin, me në krye anijet e Tarshishit. Bijtë e tu prej së largu do t'i sjellin, me vete do të mbajnë argjendin e arin e tyre, për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tënd, për nder të të shenjtit të Izraelit, që të dha lavdi. Të huajt do t'i ndërtojnë muret e tua, mbretërit e tyre do të të shërbejnë, se vërtet në zemërimin tim të ndëshkova, por nga mirësia ime pata mëshirë për ty. Portat e tua do të rrinë përherë hapur, nuk do të mbyllen as ditën, as natën, që të të sjellin pasurinë e kombeve, me mbretërit e tyre në krye. Kombet dhe mbretëritë që nuk do të të shërbejnë, do të marrin fund. Po, ato kombe do të rrënohen krejt. Te ti do të vijë lavdia e Libanit, qiparisat e pishat, bashkë me bredhat, për të stolisur vendin e shenjtërores sime, të lavdishëm do ta bëj vendin ku shkelin këmbët e mia. Kokulur do të vijnë te ti bijtë e atyre që të shtypnin, përmbys do të bien te këmbët e tua të gjithë ata që të përçmonin, do të të quajnë «Qyteti i Zotit », «Sioni i të shenjtit të Izraelit». E braktisur dhe e urryer ishe e askush nëpër ty s'kalonte, por ja, po të bëj madhështi të amshuar, gëzim, brez pas brezi. Do të pish qumështin e kombeve, prej begatisë së mbretërve do të thithësh. Do ta marrësh vesh se unë jam Zoti, shpëtimtari e shpenguesi yt, i forti i Jakobit. Në vend të bronzit, do të sjell ar, në vend të hekurit, argjend, bronz, në vend të drurëve, hekur, në vend të gurëve. Paqen do të caktoj si udhëheqësin tënd, drejtësinë si sunduesin tënd. Në vendin tënd për dhunë më s'do të flitet as për shkatërrim e rrënim, në trojet e tua. «Shpëtim» do t'i quash muret e tua, «Lavdërim», portat e tua. Nuk do të të ndriçojë më dielli ditën, as hëna nuk do të të shkëlqejë natën, se Zoti do të jetë drita jote e amshuar, Perëndia, shkëlqimi yt. Dielli yt nuk do të perëndojë më e hëna jote nuk do të erret më, se Zoti do të jetë drita jote e amshuar dhe ditët e vajtimit do të marrin fund. Mbarë populli yt do të jetë i drejtë dhe vendin do ta trashëgojë në amshim. Ata janë fara që unë mbolla, vepra e duarve të mia, lavdia ime. I vogli do të bëhet një mijë, i pakti, një komb i fuqishëm. Vetë unë, Zoti, në kohën e duhur, do ta bëj shpejt këtë. Shpirti i Zotit, Zotit tim, është mbi mua, se vetë Zoti më ka vajosur, më ka dërguar t'u shpall lajmin e mirë të vobektëve, t'u lidh plagët zemërthyerve, t'u shpall çlirimin të robëruarve, të burgosurve, daljen nga burgu, të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë, t'u jap ngushëllim të gjithë atyre që vajtojnë, të ngushëlloj ata që vajtojnë në Sion, t'u vë kësula mbi kokë në vend të hirit, vajin e gëzimit, në vend të zisë, petkun e lavdit, në vend të shpirtit të thyer, që lisa drejtësie të quhen, mbëltim i Zotit, për lavdi të tij. Rrënojat e lashta do t'i ndërtojnë sërish, gërmadhat e vjetra do t'i ngrenë, do të përtërijnë qytetet e shkretuara, të shkatërruara prej shumë breznish. Të huaj do të vijnë për t'jua kullotur tufat, bij të huajsh do të jenë bujqit e vreshtarët tuaj. E ju do të quheni «priftërinj të Zotit ». «Shërbëtorë të Perëndisë tonë», do të thonë për ju. Do të gëzoni të mirat e kombeve, me pasurinë e tyre do të krenoheni. Dyfish të turpëruar keni qenë, «Çnderimi është fati i tyre!», për ju bërtitën, prandaj tokën tuaj dyfish do ta trashëgoni e gëzim të përhershëm do të keni. Se unë, Zoti, që e dua drejtësinë dhe e urrej plaçkitjen e paudhësinë, unë do t'ju jap shpërblimin me besnikëri e do të bëj me ju një besëlidhje të amshuar. Fara juaj do të jetë e njohur mes kombeve, pasardhësit tuaj mes popujve. Kushdo që do t'i shohë, do t'i njohë, ata janë fara e bekuar prej Zotit. I madh është gëzimi im në Zotin, shpirti im ngazëllen në Perëndinë tim, se më veshi me rrobat e shpëtimit, me petkun e drejtësisë më mbuloi, si një dhëndër stolisur me kësulë, si një nuse zbukuruar me stoli. Siç bën toka të mbijë bimësia, si kopshti që rrit farën e mbjellë, ashtu do ta rritë Zoti, Zoti im, drejtësinë dhe lavdërimin përpara gjithë kombeve. Për hir të Sionit nuk do të hesht, për hir të Jerusalemit gojën nuk do ta mbyll, derisa drejtësia e tij të agojë si drita e shpëtimi i tij të ndizet si pishtari. Kombet do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde. Do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit. Kurorë e çmuar do të jesh në dorën e Zotit, kësulë mbretërore në pëllëmbën e Perëndisë tënd. Nuk do të quhesh më «e lëna», as toka jote s'do të quhet më «e shkretuara», por do të quhesh «kënaqësia ime» dhe toka jote «e martuara», sepse me ty kënaqet Zoti dhe toka jote e martuar do të jetë. Sikurse i riu martohet me vashën, ashtu do të martohen bijtë e tu me ty, sikurse dhëndri i gëzohet nuses, ashtu Perëndia yt gëzohet me ty. Mbi muret e tua, o Jerusalem, rojtarë unë kam caktuar, që, as ditën e as natën, kurrë nuk do të heshtin. O ju, që ia kujtoni Zotit premtimet, aspak mos reshtni e mos e lini të pushojë, derisa t'i ketë përtërirë themelet e Jerusalemit e ta ketë bërë atë lavdinë e tokës mbarë. U betua Zoti për të djathtën e tij dhe për krahun e tij të fuqishëm: «Drithin tënd armiqve të tu s'do t'ua jap më kurrë për ushqim e të huajt, prej verës së mundit tënd, s'do të pinë më kurrë e ata që e mblodhën do ta hanë dhe do të lavdërojnë Zotin, ata që e volën do të pinë në tremen e shenjtërores sime». Kaloni, kaloni nëpër porta! Bëjeni gati udhën për popullin! Shtrojeni, shtrojeni rrugën, pastrojeni nga gurët, valëvisni flamurin para popujve! Zoti shpalli deri në skajet e tokës: «I thoni bijës së Sionit: ja, po vjen shpëtimtari yt! Ja, me vete ka shpërblimin! Përpara i prin shpagimi! “Popull i shenjtë” do t'i quajnë, “të shpenguarit e Zotit ”. Ndërsa ti do të quhesh “i kërkuari”, “qyteti i pabraktisur”». Kush është ky që vjen nga Edomi, nga Bocrahu me petka të kuqe? Ky, që është veshur me kaq madhështi, që po afrohet me kaq forcë? Jam unë që flas me drejtësi, që kam fuqi të shpëtoj. Përse, pra, je veshur me të kuqe dhe petkat i ke si ai që shtrydh rrushin? I vetëm e shtrydha rrushin e nga popujt askush s'qe me mua. I shtypa me këmbë nga zemërimi, i shtrydha nga mëria ime. Gjaku i tyre m'i stërpiku petkat, gjithë rrobat m'i njollosi. Ja, ditën e hakmarrjes e kisha në zemër, viti i shpengimit tim mbërriti! Pashë e s'kishte kush të ndihmonte! U shtanga e askush nuk më përkrahte! Atëherë ngadhënjeu krahu im e më përkrahu furia ime. Me zemërim i shtypa popujt, i deha me mërinë time, gjakun e tyre përtokë e derdha. Mirësinë e Zotit do ta kujtoj, lavdërimin e Zotit dhe gjithçka Zoti bëri për ne, mirësinë e madhe, ndaj shtëpisë së Izraelit, që i dhuroi nga dhembshuria dhe nga mirësia e tij e pamasë. Se tha: «Vërtet janë populli im, bij që nuk merren me mashtrime» dhe u bë shpëtimtari i tyre në çdo fatkeqësi që kishin. Nuk i shpëtoi as ndonjë njeri e as ndonjë engjëll, por i shpëtoi vetë ai dhe nga dashuria e mëshira i shpengoi. Ai vetë i ngriti e i mbajti gjatë gjithë ditëve të moçme. Por ata ngritën krye dhe e hidhëruan shpirtin e tij të shenjtë. Prandaj u bë armiku i tyre, vetë ai luftoi kundër tyre. Atëherë popullit iu kujtuan ditët e lashta, Moisiu me mbarë popullin. «Ku është ai që i nxori ata prej ujit», thanë, «Bashkë me barinjtë e tufës së tij? Ku është ai që mes tyre vuri shpirtin e tij të shenjtë? Ai që, përmes krahut të djathtë të Moisiut, i drejtoi me krahun e tij të madhërishëm? Ai që i ndau ujërat para tyre, për të fituar një emër të amshuar? Ai që i kaloi nëpër fundin e humnerës, siç kalon kali nëpër shkretëtirë, pa u penguar? Ashtu si zbresin bagëtitë në luginë, ashtu i çonte drejt prehjes Shpirti i Zotit. Kështu i prive popullit tënd, për të bërë një emër të madh». Vështro prej qiellit e shiko prej banesës sate të shenjtë e të madhërishme! Ku është zelli e fuqia jote? Dëshira jote e zjarrtë dhe mëshira jote larg prej nesh qëndrojnë. Sepse ti je ati ynë! Abrahami nuk na njeh dhe Izraelit s'i kujtohemi, por ti, o Zot, je ati ynë, «Shpenguesi ynë» është emri yt që prej amshimit. Përse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të tua? Përse i ngurtëson zemrat tona, që ty mos të të druajmë? Kthehu për hir të shërbëtorëve të tu, për hir të fiseve të trashëgimit tënd. Vetëm për pak kohë populli yt i shenjtë e trashëgoi tokën, erdhën armiqtë dhe e shkelën shenjtëroren tënde. Prej kohësh jemi bërë një popull mbi të cilin ti nuk sundon më e nuk thirret me emrin tënd. Ah, sikur t'i shqyeje qiejt e të zbrisje, para teje malet do të dridheshin! Sikur të ishe si zjarri që djeg shkurret e që ujin e bën të vlojë, që t'ua bëje të njohur armiqve emrin tënd. Para teje kombet do të dridheshin! Kur bëre mrekulli që ne nuk i pritnim, zbrite e para teje u trandën malet. Që nga lashtësia nuk ishte dëgjuar, askujt s'ia dëgjuan veshët e nuk ia panë sytë, që tjetër Perëndi, veç teje, të vepronte për atë që kishte shpresë tek ai. Përpara u del atyre që me gëzim zbatojnë drejtësinë atyre që s'të harrojnë, por ecin udhëve të tua. Ja, vërtet ishe i zemëruar, sepse kishin mëkatuar. Për shumë kohë ishim në mëkatet tona, si do të shpëtojmë vallë? Jemi bërë të gjithë si të papastër e çdo drejtësi e jona si rrobë e ndyrë, të gjithë po vyshkemi si gjethja, paudhësitë po na degdisin larg si era. S'ka kush ta thërrasë më emrin tënd, s'ka kush të ngrihet e të mbështetet te ti, se e ke fshehur prej nesh fytyrën tënde, na ke lënë të tretemi prej paudhësive tona. Por, ti, o Zot, ti je ati ynë, ne jemi balta e ti poçari, të gjithë jemi vepra e duarve të tua. Mos u zemëro për së tepërmi, o Zot, e mos i kujto përherë paudhësitë tona. Ja, të përgjërohemi të na vështrosh, të gjithë jemi populli yt. Qytetet e tua të shenjta janë shkretuar, i shkretë ka mbetur Sioni, rrënojë është bërë Jerusalemi. Tempulli ynë i shenjtë e i madhërishëm, vendi ku të lavdëronin etërit tanë, është përpirë prej zjarrit. Gjithçka që e kishim të çmuar është kthyer në gërmadhë. Edhe pas gjithë këtyre, do të përmbahesh, o Zot? Mos vallë do të heshtësh? Kaq shumë do të na mundosh? Iu përgjigja atyre që nuk më pyetën, më gjetën ata që s'më kërkonin. «Ja ku jam! Ja ku jam!», i thashë një kombi, që emrin tim s'e kishte thirrur. Gjithë ditën ia shtriva dorën një populli të pabindur, që ecën një udhe jo të mirë dhe ndjek synimet e veta, një populli që ma ndez zemërimin, që përherë para syve të mi, kushtojnë fli nëpër kopshte e djegin temjan nëpër tjegulla. Ata ulen nëpër varreza, natën e kalojnë nëpër vende të fshehta, e përlajnë mishin e derrit, pjatat i kanë plot papastërti. «Qëndro larg», thonë, «Mos u afro, se jam më i shenjtë se ti». Këta i kam tym në hundë, zjarr që përvëlon tërë ditën. Ja, e kam të shkruar përpara meje: nuk kam për të heshtur, por do të marr hak, mu në gji të tyre do të marr shpagim, për paudhësitë e tyre dhe të etërve të tyre, thotë Zoti. Kushtuan temjan nëpër male, nëpër kodra më kanë fyer, mu në gji do t'i peshoj veprat e tyre të hershme. Se kështu thotë Zoti: siç thuhet për vilen e rrushit, kur është plot me lëng: «Mos e prek, se është plot bekim!», ashtu do të veproj edhe unë, për hir të shërbëtorëve të mi e nuk do të shkatërroj gjithçka. Prej Jakobit do të nxjerr një pinjoll, prej Judës trashëgimtarin e maleve të mia. Atë do të trashëgojnë të zgjedhurit e mi, atje do të banojnë shërbëtorët e mi. Kullotë për tufat do të bëhet Sharoni, mriz për bagëtinë, lugina e Akorit, për popullin tim që do të më kërkojë. Ndërsa ju, që e braktisni Zotin, që e harroni malin tim të shenjtë, që Gadit ia shtroni tryezën, që Meniut ia përzieni kupën, ju do t'ju caktoj për shpatën, të gjithë do të gjunjëzoheni prej kërdisë, sepse ju thirra e s'u përgjigjët, fola e nuk dëgjuat, të keqen bëtë para syve të mi, zgjodhët atë që s'më pëlqen. Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti im: ja, shërbëtorët e mi do të kenë të hanë, ndërsa ju do të keni uri, shërbëtorët e mi do të kenë të pinë, ndërsa ju do të keni etje. Ja, shërbëtorët e mi do të gëzojnë, ndërsa ju do të turpëroheni. Ja, shërbëtorët e mi do të brohorasin prej gëzimit që kanë në zemër, ndërsa ju do të vini kujën prej dhimbjes që keni në zemër e do të vajtoni për shkak të shpirtit të dërrmuar. Ju do të lini pas një emër, me të cilin do të mallkojnë të zgjedhurit e mi: «Të vraftë Zoti, Zoti im!». Por vetë shërbëtorët e mi me emër tjetër do të thirren. Kush dëshiron të jetë i bekuar në këtë tokë, do të dojë të bekohet prej Perëndisë së vërtetë. Kush betohet në këtë tokë, për Perëndinë e vërtetë do të betohet. Se mundimet e së shkuarës do të harrohen, prej syve të mi do të fashiten. Se, ja, unë po krijoj një qiell të ri e një tokë të re! Gjërat e shkuara më nuk do të kujtohen, në zemrën tënde vend më s'do të kenë. Gëzohuni e ngazëllohuni përgjithmonë me ato që unë po krijoj, se, ja, Jerusalemin gëzim do ta bëj, popullin tim ngazëllim. Do të gëzoj për Jerusalemin, do të ngazëllej për popullin tim. Gjëmë në të nuk do të dëgjohet më e as zë vajtimi. Aty s'do të ketë më foshnjë, që do të jetojë vetëm pak ditë, e as ndonjë të moshuar, që ditët e veta të mos i arrijë, sepse djalosh do të quhet njëqindvjeçari e kush të njëqindtat nuk i mbush i mallkuar do të quhet. Do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbëltojnë vreshta e frytet do t'u hanë. S'do të ndërtojnë që të banojnë të tjerët, s'do të mbjellin që të hanë të tjerët, se populli im do të jetojë gjatë si pema dhe të zgjedhurit e mi do t'i gëzojnë gjatë frytet e punës së duarve të tyre. Mundi nuk do t'u shkojë kot, as do të lindin fëmijë që vdesin shpejt, sepse fara e tyre do të bekohet prej Zotit dhe pasardhësit e tyre do të rrinë bashkë me ta. Para se të më thërrasin, unë do t'u përgjigjem, pa mbaruar së foluri, unë do t'i dëgjoj. Ujku e qengji do të kullotin bashkë, luani do të hajë kashtë si demi e dheu do të jetë ushqimi i gjarprit. Dëm më nuk do të bëjnë e as do të vrasin mbi mbarë malin tim të shenjtë, thotë Zoti. Kështu thotë Zoti: qielli është froni im, toka shtroja e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni? Cili është vendi ku do të gjej prehje? Të gjitha këto i bëri dora ime, kështu u krijuan të gjitha, kumton Zoti. Vështrimin tim do ta hedh mbi të përulurin, mbi atë që e ka shpirtin të dërrmuar, mbi atë që dridhet prej fjalës sime. Dikush kushton një dem e mandej vret një njeri, kushton një qengj e mandej i thyen qafën qenit, kushton një fli drithi e mandej edhe gjakun e derrit, kushton temjan e mandej bekon idhullin. Këta zgjedhin të ecin udhës së vet, kënaqen me fëlliqësitë e tyre. Por edhe unë do të zgjedh poshtërimin e tyre, do të dërgoj mbi ta tmerrin, sepse thirra, por nuk m'u përgjigjën, fola, por nuk më dëgjuan, Bënë çka është e keqe në sytë e mi, zgjodhën çka nuk më pëlqen. Dëgjojeni fjalën e Zotit, ju që dridheni prej fjalës së tij! Të afërmit tuaj, që ju urrejnë, që ju përjashtojnë për shkak të emrit tim, thonë: «Le ta dëftejë Zoti lavdinë e tij, që ta shohim edhe ne gëzimin tuaj». E pra, ata do të turpërohen! Një rrapëllimë po del nga qyteti, një zë dëgjohet prej tempullit! Është zëri i Zotit që po hakmerret ndaj armiqve të tij. Para se të provonte dhimbjet, lindi, para se t'i vinin dhimbjet, lindi djalë. Kush e ka dëgjuar një gjë të tillë? Kush ka parë gjëra të tilla? A mund të lindë një vend në një ditë? A mund të lindë një komb në një çast? E pra, Sionin e zunë dhimbjet e lindjes dhe bijtë e saj ajo i lindi. «Unë, që jam shkaku i lindjes së jetës, nuk do ta bëja të lindte?», thotë Zoti. «Unë, që kujdesem për çdo lindje, do ta pengoja të lindte?», thotë Perëndia. Gëzohuni për Jerusalemin, ngazëlleni për të, të gjithë ju që e doni! Dëfreni bashkë me të, dëfreni, të gjithë ju që vajtuat për të, që prej gjirit të tij ngushëllues të thithni qumësht e të ngiheni, që prej thithave të begatisë së tij të thithni e të kënaqeni! Se kështu thotë Zoti: ja, paqen do ta bëj të rrjedhë në të porsi lumi, pasurinë e kombeve porsi përroi që vërshon. Do t'ju mbajnë në gji kur të pini qumësht, do t'ju mbështetin mbi gjunjë kur t'ju përkëdhelin. Porsi nëna që ngushëllon të birin, ashtu do t'ju ngushëlloj edhe unë. Po, në Jerusalem ngushëllim do të gjeni! Do të shihni e do t'ju gëzojë zemra, si bari i njomë do t'ju përtërihen kockat. Dora e Zotit do të shfaqet mbi shërbëtorët e tij e mbi armiqtë e tij, zemërimi. Se, ja, Zoti po vjen me zjarr, qerret e tij janë porsi stuhia, zemërimin e tij për ta shfryrë me furi, qortimin e tij, me flakë zjarri. Me flakë do të gjykojë Zoti, me shpatë çdo qenie të gjallë. Të shumtë do të jenë ata që do të zhbihen prej Zotit. Ata që shenjtërohen e pastrohen për të shkuar mandej nëpër kopshtet e idhujve, ata që hanë mishin e derrit, gjëra të neveritshme e minj, do të marrin fund që të gjithë, kumton Zoti. Unë i njoh mirë veprat dhe synimet e tyre. Prandaj po vjen koha për t'i bashkuar të gjitha kombet e gjuhët. Ata do të vijnë e do të shohin lavdinë time. Mes tyre do të vendos një shenjë dhe disa nga të mbijetuarit do t'i dërgoj te kombet, në Tarshish, në Pul, në Lud, te mjeshtrat e harkut, në Tubal, në Javan, në ishujt e largët, që për mua s'kanë dëgjuar dhe që lavdinë time s'e kanë parë. Ata do t'ua shpallin kombeve lavdinë time. Ata do t'i kthejnë të gjithë vëllezërit tuaj, prej të gjitha kombeve ku janë, e do t'ia kushtojnë Zotit, me kuaj, me karroca, me qerre, me mushka e me deve njëgungëshe, në malin e tij të shenjtë, në Jerusalem, thotë Zoti. Po ashtu edhe bijtë e Izraelit do ta sjellin flinë e tyre në shtëpinë e Zotit në një enë të pastër. Prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë, thotë Zoti. Sikurse qielli i ri dhe toka e re, që unë po krijoj, do të qëndrojnë përherë para meje, kumton Zoti, ashtu do të mbetet edhe fara juaj, edhe emri juaj. Nga hëna e re në hënë të re, nga e shtuna në të shtunë, çdo qenie do të vijë e para meje do të përkulet, kumton Zoti. E kur të dalin, kufoma do të shohin, kufomat e atyre që u ngritën kundër meje. Krimbi që i bren nuk do të ngordhë kurrë e zjarri që i djeg nuk do të shuhet. Të neveritshëm do të jenë ata për çdo qenie të gjallë! Fjalët e Jeremisë, birit të Hilkiahut, njërit prej priftërinjve të Anatotit në dheun e Benjaminit, të cilit iu drejtua fjala e Zotit në kohën e Josisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, në vitin e trembëdhjetë të mbretërimit të tij dhe në kohën e Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, deri në fund të vitit të njëmbëdhjetë të Sedekisë, birit të Josisë, mbretit të Judës, deri në shpërnguljen e Jerusalemit, në muajin e pestë. Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Para se të të jepja trajtë në barkun amënor, të njoha, para se të dilje nga rropullitë, të veçova, profet për kombet të caktova». Thashë: «Ah, Zot, Zoti im, ja, unë nuk di të flas, se jam i ri». Por Zoti më tha: «Mos thuaj: “Jam i ri”, se do të shkosh te të gjithë ata ku po të dërgoj e do të thuash gjithçka të urdhëroj. Mos u tut prej tyre, se unë jam me ty për të të çliruar. Kumton Zoti ». Zoti shtriu dorën e më preku gojën. Pastaj Zoti më tha: «Ja, vura në gojën tënde fjalët e mia. Shiko, sot po të vë përmbi kombe e përmbi mbretëri, për të shkulur e për të rrënuar, për të shkatërruar e për të shembur, për të ndërtuar e për të mbjellë». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Çfarë shikon, Jeremi?». Thashë: «Një degë bajameje shikoj». Zoti më tha: «Mirë ke parë! Se unë i mbaj sytë hapur mbi fjalën time, për ta zbatuar». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Çfarë shikon?». Thashë: «Një vorbë që zien shoh, me pamje kah veriu». Pastaj Zoti më tha: «Nga veriu do të vërshojë mjerimi mbi të gjithë banorët e dheut. Se, ja, po i thërras të gjitha fiset e mbretërive të veriut, kumton Zotit, dhe ata do të vijnë e secili do ta vendosë fronin te hyrja e portave të Jerusalemit, kundër mureve përreth tij e kundër gjithë qyteteve të Judës. Atëherë do të shpall vendimet e mia kundër tyre, për ligësinë me të cilën më braktisën e u kushtuan fli perëndive të tjerë, duke adhuruar veprat e duarve të veta. Por ti, ngjish brezin, ngrihu e shpallu gjithçka të urdhëroj unë. Mos u trondit para tyre, që të mos të trondis edhe unë para tyre. Ja, unë sot po të bëj si një qytet të rrethuar me ledhe, si shtyllë të hekurt e si muret e bronzta kundër mbarë dheut, kundër mbretit të Judës e prijësve të tij, kundër priftërinjve të tij e popullit të dheut. Do të luftojnë kundër teje, por nuk do të të mposhtin, se unë jam me ty për të të shpëtuar, kumton Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Shko e bërtiti në veshë Jerusalemit. Kështu thotë Zoti: më kujtohet përkushtimi i rinisë sate, dashuria jote vajzërore, kur rendje pas meje në shkretëtirë, në tokë të pambjellë. I shenjtë ishte Izraeli për Zotin, fryti i tij i parë. Ata që e kafshonin binin në faj, zezona i zinte, kumton Zoti. Dëgjojeni fjalën e Zotit, o shtëpia e Jakobit dhe të gjitha fiset e shtëpisë së Izraelit. Kështu thotë Zoti: çfarë të mete gjetën tek unë etërit tuaj, që u larguan prej meje, rendën pas kotësisë dhe u bënë të kotë? A nuk thanë: “Ku është Zoti, që na solli nga dheu i Egjiptit, që na priu në shkretëtirë, në tokë djerr e plot gropa, në tokë të thatë e të errët, në dheun ku nuk kalon njeri e ku askush nuk banon?”. Unë ju solla në tokë frutore, që të hani frytet dhe begatitë e saj, por ju hytë dhe e ndotët vendin tim, e bëtë të neveritshme trashëgiminë time. Priftërinjtë nuk pyetën: “Ku është Zoti?”. Shtjelluesit e ligjit nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan sipas Baalit e rendën pas kotësive. Prandaj do të rragatem me ju, kumton Zoti, edhe me bijtë e bijve tuaj do të rragatem. Shkoni, pra, në brigjet e Kitimit e shikoni, dërgoni për të vërejtur hollë në Kedar e shihni a kanë ndodhur gjëra të tilla atje. A i ka këmbyer ndonjë komb perënditë, edhe pse ata s'janë perëndi? Por populli im e ka këmbyer lavdinë e vet me çfarë është e pavlerë. Hutohuni nga kjo gjë, o qiej, tranduni e trishtohuni thellë, kumton Zoti. Se dy ligësi bëri populli im: më braktisi mua, gurrën e ujit të gjallë, për të hapur për vete sterna, sterna të shpuara, që nuk mbajnë ujë. Mos është skllav Izraeli, skllav i lindur në shtëpi? Përse u bë pre? Luanët ulërinë kundër tij me zërin e tyre të lartë. E shkretuan tokën e tij, qytetet e tij u rrënuan e s'kanë më banorë. Edhe bijtë e Memfisit e Tahpanhesit ta kanë rruar kokën. A nuk ia bëre vetes, duke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, kur ai të priu udhës sate? Ç'ke që rend drejt Egjiptit për të pirë ujin e Nilit? Ç'ke që rend drejt Asirisë për të pirë ujin e Eufratit? Ligësia jote do të të ndëshkojë, pabesia jote do të të qortojë. Merre vesh e shiko sa keq e sa hidhur është për ty të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd. Nuk dridhesh më para meje, kumton Zoti, Zoti i ushtrive. Ja, qëmoti e kam copëtuar zgjedhën tënde e i kam thyer vargonjtë e tu, e ti the: “Nuk do të shërbej”, prandaj mbi çdo kodër të lartë e nën çdo pemë të harbuar u shtrive porsi lavire. Të pata mbjellë si hardhi e zgjedhur, prej farës së pastër. Si m'u tjetërsove e u bëre hardhi e egër? Edhe po të lahesh me finjë e të fërkohesh me shumë sapun, para syve e kam damkën e fajit tënd, kumton Zoti, Zoti im. Si mund të thuash: “Nuk jam përlyer, nuk renda pas Baalëve”? Shiko gjurmët ku ke ecur nëpër luginë, prano çfarë ke bërë, o deve e shkathët endacake, gomare e egër e mësuar me shkretëtirën, që nuhat ajrin kur e kap afshi. Kush mund ta ndalë epshin e saj? Kushdo që e dëshiron, nuk mundohet, por e gjen gjithmonë në muajin e vet. Ruaje këmbën, mos të mbetet zbathur e fytin mos të mbetet etur. Por ti the: “Jo, është e kotë, se të huajt dashurova e pas tyre do të rend”. Siç turpërohet vjedhësi kur kapet, ashtu do të turpërohet shtëpia e Izraelit, ata, mbretërit e tyre, prijësit, priftërinjtë e profetët e tyre, që i thonë drurit: “Ti je im atë” e gurit: “Ti më ke lindur”. Më kanë kthyer kurrizin e jo fytyrën, por, kur i zë zezona, thonë: “Ngrihu e shpëtona!”. Ku janë perënditë që sajove për vete? Le të ngrihen, nëse të shpëtojnë në kohën e zezonës, se, sa numri i qyteteve të tua janë perënditë e tua, o Judë. Pse grindeni me mua? Ju të gjithë ngritët krye kundër meje, kumton Zoti. Më kot i godita bijtë tuaj, nuk e morën mësimin. Profetët tuaj i përpiu shpata juaj, si luani rrënimtar. Ju, o brezni, vëreni fjalën e Zotit. Mos vallë isha shkretëtirë për Izraelin, apo tokë e terratisur? Përse thotë populli im: “Do të endemi të lirë, te ti më nuk do të kthehemi”? A i harron vashëza stolitë e veta, apo nusja brezin nusëror? Por populli im më ka harruar prej shumë kohësh. Sa mirë e gjen udhën për të lypur dashuri! Deri edhe të përdalave ua mësove udhët e tua. Në petkun tënd gjendet gjaku i nevojtarëve të pafajshëm, të cilët s'i kape duke thyer derën. Me të gjitha këto, thua: “Jam, e pafaj, prandaj iku prej meje zemërimi i tij”. Ja, do t'ju hap gjyq, sepse thatë: “Unë s'kam mëkatuar”. Sa shpërfillshëm ndërron udhë! Edhe nga Egjipti do të mbulohesh me turp, siç u mbulove me turp nga Asiria. Edhe që andej do të dalësh duke mbajtur kokën me duar, se Zoti i ka përzënë besnikët e tu e ti nuk do të begatohesh falë tyre». «Nëse një burrë e dëbon gruan e ajo shkon e bëhet gruaja e tjetërkujt, a do të kthehet ai prapë tek ajo? A nuk është fëlliqur ajo tokë? Ti kurvërove me shumë dashnorë e dashke të kthehesh tek unë? Kumton Zoti. Ngriji sytë drejt rraheve e shiko: ku nuk u shthure? Rrije e i prisje ndanë rrugës, siç pret arabi në shkretëtirë. E fëlliqe tokën me kurvërinë tënde e me përdaljen tënde. Prandaj u ndalën shirat e reshjet pranverore nuk ranë, por ti ke fytyrën e gruas së përdalë e nuk e njeh turpin. E tani më thërret mua: “Ati im, i dashuri i rinisë ti je. A do ta mbajë ai zemërimin përgjithmonë? A do ta ruajë deri në amshim?”. Ja, ti flet, por bën prapësi sa të mundesh». Zoti më tha, në ditët e mbretit Josi: «A ke parë çfarë bëri Izraeli, besëshkali? U ngjit në çdo kodër të lartë, shkoi nën çdo pemë të harbuar e atje u kurvërua. E unë thosha: “Pasi t'i ketë bërë të gjitha këto, do të kthehet tek unë”, por s'u kthye. E ka parë edhe Juda, motra e saj tradhtare. Ajo pa se për shkak të të gjitha kurorëshkeljeve që bëri Izraeli, besëshkali, e dëbova e i dhashë letrën e ndarjes, megjithatë motra e saj tradhtare nuk u tremb, por edhe ajo shkoi e u kurvërua dhe e ndoti tokën me përdaljen e saj mendjelehtë. Ajo u kurvërua me gurë e me drurë. Megjithëkëtë, Juda, motra e saj tradhtare, nuk u kthye tek unë me gjithë zemër, por vetëm me mashtrim, kumton Zoti ». Atëherë Zoti më tha: «Izraeli besëshkalë u tregua më i drejtë se Juda, tradhtarja. Shko, lësho këtë thirrje në drejtim të veriut, e thuaj: kthehu, o Izrael besëshkalë, kumton Zoti. Nuk do të tregohem i zemëruar me ju, se jam përdëllyes, kumton Zoti. Nuk do ta mbaj përgjithmonë zemërimin. Vetëm prano fajin, se ngrite krye kundër Zotit, Perëndisë tënd, u ndërzeve me të huajt nën çdo pemë të harbuar e nuk iu binde zërit tim, kumton Zoti. Kthehuni, o bij të shkarë, kumton Zoti, se unë jam zotëria juaj. Unë do t'ju marr, njërin nga një qytet e dy nga një familje e do t'ju sjell në Sion. Do t'ju jap barinj sipas zemrës sime që do të kujdesen për ju me urti e mençuri. Pasi të shumoheni e të shtoheni mbi dhe, ato ditë, kumton Zoti, nuk do të përmendet më arka e besëlidhjes së Zotit. Nuk do t'i bjerë ndër mend më askujt, nuk do të kujtohen, nuk do ta ndiejnë mungesën e nuk do të ndërtohet sërish. Në atë kohë do ta quajnë Jerusalemin: “Froni i Zotit ” dhe të gjitha kombet do të mblidhen në Jerusalem në emër të Zotit e nuk do të ndjekin prapë me ngulm zemrën e tyre të ligë. Në ato ditë, shtëpia e Judës do të shkojë te shtëpia e Izraelit e do të ecin së bashku nga dheu i veriut drejt dheut që u dhashë etërve tuaj për trashëgim. Unë thashë: si mund të të rreshtoj me bijtë e të të jap një tokë të lakmueshme, trashëgiminë më të hijshme mes kombeve. Kujtova se do të më thërrisnit: “Ati im” e do të vinit pas meje pa u vërtitur. Por, si gruaja që tradhton të shoqin, kështu më tradhtuat, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti. Një zë dëgjohet përmbi rrahe: dënesa dhe ofshama e bijve të Izraelit, se i kanë përdredhur udhët e veta, e kanë harruar Zotin, Perëndinë e tyre. Kthehuni, o bij ikanakë! Unë do ta shëroj besëshkeljen tuaj. “Ja, erdhëm te ti, sepse ti je Zoti, Perëndia ynë. Vërtet mashtruese janë kodrinat, rrapëllimë janë malet. Vërtet në Zotin, Perëndinë tonë, është shpëtimi i Izraelit. Që në rininë tonë e gëlltiti turpi mundin e etërve tanë, bashkë me grigja e me tufa, me bij e me bija. Le të shtrihemi mbi turpin tonë e me kobin tonë le të mbulohemi, se mëkatuam kundër Zotit, Perëndisë tonë, ne dhe etërit tanë, që nga rinia jonë e deri më sot, dhe nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Perëndisë tonë”». «Nëse do të kthehesh, o Izrael, kumton Zoti, tek unë kthehu. Nëse i flak prej meje pështirësitë e tua e nuk bredh, e nëse betohesh: “Pasha Zotin!”, me vërtetësi, me drejtësi e me të drejtë, falë tij kombet do të bekohen, falë tij do të mburren. Kështu u thotë Zoti njerëzve të Judës e të Jerusalemit: hapni tokë të re e mos mbillni ndër ferra. Rrethprituni për Zotin, flakeni lafshën prej zemrës, o njerëzit e Judës e banorët e Jerusalemit, që të mos flakërojë si zjarr zemërimi im e të mos djegë pa u shuar, për shkak të bëmave tuaja të liga». «Njoftoni nëpër Judë, le të merret vesh në Jerusalem e shpallni: bini borisë nëpër vend, bërtitni fort e thoni: mblidhuni, të hyjmë në qytetet e fortifikuara! Lartësoni një shenjë drejt Sionit, merrni arratinë e mos ngurroni, se nga veriu po e sjell mjerimin dhe rrënimin e madh. Luani u ngrit nga strofulli i vet, doli për udhë rrënimtari i kombeve, doli nga vendi i tij për ta shkretuar vendin tuaj. Qytetet tuaja, rrënoja pa banorë do të jenë. Prandaj mbulohuni me grathore, vajtoni e vini kujën, se nuk do të zmbrapset zemërimi flakërues i Zotit. Atë ditë, kumton Zoti, do t'i lëshojë zemra mbretin dhe princat. Priftërinjtë do të çoroditen dhe profetët do të trullosen. Unë thashë: “Ah, Zot, Zoti im, me të vërtetë e paske gënjyer këtë popull dhe Jerusalemin, kur i the: ‘Do të keni paqe’, por ja që shpata mbërriti në gurmaz”. Në atë kohë do t'i thuhet këtij populli dhe Jerusalemit: “Drejt bijës së popullit tim fryn era përzhitëse e pllajave të shkretëtirës, por jo për të hedhur e as për të pastruar. Një erë rrëmbyese po vjen për mua. Tani edhe unë do të flas në gjyq kundër tyre”. Ja, ai përparon si reja, porsi stuhia karrocat e tij. Kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, se morëm fund. Pastroje zemrën nga ligësia, Jerusalem, që të shpëtosh. Deri kur do t'i mbash në gji mendimet e tua të mbrapshta? Se një zë lajmëron nga Dani, nga kodrat e Efraimit ai shpall mjerimin. Kujtojuani kombeve, njoftojeni Jerusalemin: pushtuesit po vijnë nga një dhe i largët, kundër qyteteve të Judës lëshojnë klithma. E kanë rrethuar si rojat e arës, se ngriti krye kundër meje, kumton Zoti. Sjellja jote dhe veprat e tua ta bënë këtë. Ky është fati yt i hidhur që të ka mbërritur deri në zemër». «U përvëlova, u përvëlova! U kapita. Po më plas zemra, po më dridhet zemra. Nuk mund të hesht, se dëgjova zërin e borisë, kushtrimin e betejës. Rrënim përmbi rrënim lajmërohet, se mbarë dheu do të rrënohet. Befas tendat e mia u rrënuan e pëlhurat e mia në një çast. Deri kur do ta shikoj flamurin e do të dëgjoj zërin e borisë? Se i çmendur është populli im e nuk më njeh. Janë bij të marrë që nuk kuptojnë. Janë të zgjuar për të bërë të keqen, por të mirën nuk dinë ta bëjnë. Shikova tokën dhe, ja, e shkretë dhe e zbrazët. Edhe qiellin, por nuk kishte ndriçues. Shikova malet, dhe, ja, ato dridhen, të gjitha kodrat lëkunden. Shikova dhe, ja, nuk ka njeri, shpendët e qiellit kanë ikur të tërë. Shikova dhe, ja, toka pjellore ishte e shkretë, të gjitha qytetet e saj ishin shembur para Zotit, para zemërimit të tij përcëllues. Sepse kështu thotë Zoti: “Mbarë toka do të rrënohet, por nuk do ta zhbij krejt. Prandaj, toka do të mbajë zi e qielli përsipër do të ngryset, se fola e vendosa e nuk do të pendohem, as do të tërhiqem”. Nga zëri i kalorësit dhe i harkëtarit çdo qytet merr arratinë, çajnë nëpër shkurre, ngjiten nëpër shkëmbinj, çdo qytet braktiset, asnjë banor nuk mbetet. Po ti, o e shkretuar, çfarë do të bësh? Edhe sikur të vishesh me purpur, edhe sikur të stolisesh me ar, edhe sikur t'i lyesh sytë, që të të duken të mëdhenj, kot zbukurohesh. Dashnorët e tu do të të përçmojnë, ata kërkojnë të të marrin shpirtin. Dëgjova një zë si ai i gruas në dhimbje, një ankim, si i asaj që lind për herë të parë: është zëri i bijës së Sionit, që gulçon e shtrin duart: “Mjerë unë! Po më fiket shpirti për shkak të vrastarëve”». «Silluni rrugëve të Jerusalemit, shikoni e vëreni! Kërkoni nëpër sheshet e tij, se mos gjeni ndonjë zbatues të ligjit, ndonjë kërkimtar të besnikërisë, dhe unë do ta fal qytetin. Por, edhe kur thonë: “Pasha Zotin ”, bëjnë be në rrenë. O Zot, a nuk kërkojnë të vërtetën sytë e tu? Ti i godite, por nuk u mekën, i këpute, por e përbuzën qortimin. E ngurtësuan fytyrën më shumë se shkëmbi e nuk e pranuan pendimin. Thashë me vete: janë të vobektë, sillen marrëzisht, nuk e njohin udhën e Zotit, të drejtën e Perëndisë së tyre. Do të shkoj t'u drejtohem të mëdhenjve, do të flas me ta, se ata e njohin udhën e Zotit, të drejtën e Perëndisë së tyre. Por edhe ata e kishin thyer zgjedhën, i kishin këputur vargonjtë. Prandaj do t'i kafshojë luani i pyllit, do t'i rrënojë ujku i shkretëtirës. Leopardi i vëzhgon qytetet e tyre dhe kush del do të shqyhet, se janë shumuar pabesitë e tyre, janë shumëzuar kryeneçësitë e tyre. E si mund të të përdëllej? Bijtë e tu më braktisën e u betuan mbi çka nuk është perëndi. Unë i ngiva e ata më tradhtuan, rendën te shtëpia e lavires. Hamshorë të majmë e epshorë janë, secili i hingëllin gruas së të afërtit. A nuk do t'i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti. A nuk do të hakmerrem me një komb si ky? Hidhuni mbi rreshtat e hardhive të tij e shkatërrojini, por mos i rrënoni krejtësisht, harrjani shermendet, se nuk janë të Zotit. Se shtëpia e Izraelit dhe e Judës më tradhtoi, kumton Zoti. Gënjyen për Zotin e thanë: “Nuk është. Nuk do të na bjerë asnjë fatkeqësi, nuk do të shohim as shpatë, as uri”. Profetët u bënë erë, kanë mbetur pa fjalë. Ashtu u ndodhtë edhe atyre! Prandaj, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: meqë e folët këtë fjalë, ja, po i vë fjalët e mia si zjarr në gojën tënde e ky popull do të jetë druri që ai do të përpijë. Ja, do të dërgoj kundër jush një komb prej së largu, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti. Është komb qëndrestar, komb i qëmoçëm, komb të cilit nuk ia njeh gjuhën e nuk do të marrësh vesh çfarë thotë. Kukura e tyre është si varr i hapur, janë që të gjithë guximtarë. Do të përpijë të korrat e tua e bukën tënde, do të përpijë bijtë e tu e bijat e tua, do të përpijë grigjat e tua e tufat e tua, do të përpijë vreshtat e tua e fiqtë e tu, me shpatë do t'i shembë qytetet e tua të fortifikuara, në të cilat kishe besim. Por edhe në ato ditë, kumton Zoti, nuk do t'ju shfaros. E kur të thonë: “Për çfarë na e bëri tërë këtë Zoti, Perëndia ynë?”, ti do t'u përgjigjesh: “Siç më braktisët për t'u shërbyer perëndive të huaj në tokën tuaj, kështu do t'u shërbeni të huajve në një tokë që nuk është e juaja”. Tregojani këtë shtëpisë së Jakobit, njoftojeni në Judë e thoni: dëgjojeni këtë, o popull i marrë e pa mend, që keni sy, por nuk shihni, keni veshë, por nuk dëgjoni. A nuk do të më keni frikë? Kumton Zoti. A nuk do të dridheni para meje që i caktova detit rërën si pritë, cak i përhershëm, që nuk do ta kapërcejë? Dallgët e tij shkumojnë, por nuk fitojnë, ushtojnë, por nuk e kapërcejnë. Por ky popull e ka zemrën gur e të pabindur, janë kthyer e kanë ikur. Nuk thonë me vete: “Ta druajmë Zotin, Perëndinë tonë, që na jep shiun në vjeshtë e në pranverë, në kohën e vet, dhe ruan për ne javët e caktuara për të korrat”. Prapësitë tuaja i kanë përmbysur këto e mëkatet tuaja e kanë larguar prej jush të mirën, se në popullin tim gjenden të mbrapshtët. Ata përgjojnë si gjuetarët në pritë, ngrenë kurthe, zënë njerëz. Siç është kafazi plot me zogj, ashtu janë plot mashtrim shtëpitë e tyre, prandaj janë bërë të mëdhenj e të pasur, janë shëndoshur e lëmuar. Edhe cakun e ligësisë e kanë kaluar, për të drejtën e jetimit, nuk kujdesen e prapë përparojnë, pa ua dhënë të drejtën skamnorëve. A nuk do t'i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti. A nuk do të hakmerrem me një komb si ky? Tmerr e kob ka ndodhur mbi dhe: profetët profetizojnë gënjeshtra, priftërinjtë sundojnë sipas tyre e populli im kënaqet kështu, por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?». «Arratisuni, o bijtë e Benjaminit, nga mesi i Jerusalemit! Bjerini borisë në Tekoa, jepni një shenjë në Betkerem, se prej veriut u nis zezona e rrënimi i madh. Të hijshmen, të brishtën, bijën e Sionit, do ta rrënoj. Kundër saj do të vijnë barinjtë me grigjat e veta, përreth saj do t'i ngulin tendat, do të kullotin, secili në krahun e vet. Përgatitni luftën kundër saj! Ngrihuni, ta sulmojmë në mes të ditës! Mjerë ne, se iku dita, se u zgjatën hijet e mbrëmjes. Ngrihuni, ta sulmojmë natën, t'ia shembim fortesat. Se kështu thotë Zoti i ushtrive: “Prijani pemët, ngrini ledhe rreth Jerusalemit. Këtë qytet e pret rrënimi, gjithçka është shtypëse në mesin e tij. Siç e ruan pusi ujin e vet, ashtu e ka ruajtur të freskët paudhësinë. Dhunë e rrëmujë dëgjohet në të, lëngatë e plagë kam gjithmonë para syve. Pranoje qortimin, Jerusalem, që të mos largohem prej teje, që mos të të kthej në shkretim, në tokë të pabanuar”. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Shkoqeni, shkoqeni porsi hardhinë tepricën e Izraelit, vër dorë në të si vjelësi në shermende”. Kujt t'i flas e t'i drejtohem, që të më dëgjojnë? Ja, veshët i kanë të parrethprerë e nuk mund të jenë të vëmendshëm. Ja, tallen me Fjalën e Zotit, nuk kënaqen me të. Prandaj jam plot me zemërimin e Zotit, u lodha duke u përmbajtur. Zbraze, pra, përmbi fëmijët në rrugë, edhe përmbi kuvendin e të rinjve, se do të kapen burrë e grua, plak e i moshuar. Shtëpitë e tyre do t'u jepen të tjerëve, me ara e me gra, se do të shtrij dorën mbi banorët e dheut, kumton Zoti. Se nga më i vogli te më i madhi të gjithë kërkojnë përfitime, nga profeti te prifti të gjithë janë dredharakë. E shërojnë plagën e popullit tim me mendjelehtësi duke thënë: “Paqe, paqe”, por paqe s'ka. Mos vallë u vjen turp që veprojnë neveritshëm? As u vjen turp, as dinë të skuqen. Prandaj do të bien me të rënët, në kohën e ndëshkimit do të rrëzohen, thotë Zoti. Kështu thotë Zoti: “Ndaluni ndanë udhëve e shikoni, pyesni për udhët e qëmoçme, ku është udha e mbarë, që të ecni në të e të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”. Por ata thanë: “Nuk do të ecim andej”. Atëherë ju caktova rojtarët: “Vërini vesh zërit të bririt!”. Por m'u përgjigjën: “Nuk do t'i vëmë vesh!”. Prandaj, dëgjoni, o kombe, e merrni vesh, o kuvendarë, çfarë do t'u ndodhë. Dëgjo, o tokë: “Ja, po i sjell të mbrapshtën këtij populli, frytin e shestimeve të tyre, se nuk u vunë vesh fjalëve të mia dhe e shpërfillën ligjin tim. Pse më kushtoni temjanin e Shebës apo kanellën e shijshme që vjen prej së largu? Flitë tuaja të shkrumbimit nuk më kënaqin, flijimet tuaja nuk më pëlqejnë”. Prandaj, kështu thotë Zoti: “Ja, do t'i vë pengesa këtij populli e ata do të pengohen etër e bij njësoj, i afërmi e miku i tij do të rrënohen”. Kështu thotë Zoti: “Ja, një popull po vjen prej dheut të veriut, nga skajet e dheut një komb i madh po ngrihet, harkun e heshtën vringëllojnë, është mizor e i pamëshirshëm, ushtima e tij si ushtima e detit, mbi kuaj kalërojnë, si trup i vetëm për betejë kundër teje, o bija e Sionit”. Kur e dëgjuam këtë lajm, duart na u prenë, ankthi e dhimbjet na zunë si dhimbjet e gruas që lind. Mos dilni ndër ara, mos ecni në rrugë, se armiku ka shpatë e gjithandej ka tmerr. O bija e popullit tim, vish grathoren, zhgërryhu në hi, mbaj zi si për të vetmin djalë, vajto me hidhërim, se befas do të bjerë mbi ne rrënimtari. Ty të caktova furrnaltë për të spastruar popullin tim, fortesë, që të vëresh e të shqyrtosh sjelljen e tij. Të gjithë janë kryeneçë, përhapës trillimesh, janë si bronzi e hekuri, të gjithë janë shthurur. Rrësheku i fryn zjarrit, që zjarri plumbin krejt ta shkrijë, por më kot bëhet shkrirja, se papastërtitë nuk ndahen. “Argjend i përjashtuar” quhen, se Zoti i ka përjashtuar». Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: «Ndalu para portës së tempullit të Zotit dhe shpall aty këtë fjalë e thuaj: dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju judenj, që vini te kjo portë për të adhuruar Zotin. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ndreqni sjelljen tuaj e veprat tuaja dhe do t'ju lejoj të banoni në këtë vend. Mos u zini besë fjalëve të rreme që thonë: “Ky është tempulli i Zotit, tempulli i Zotit, tempulli i Zotit ”. Nëse me të vërtetë do të ndreqni sjelljen tuaj dhe veprimet tuaja, nëse do të zbatoni drejtësinë me njëri-tjetrin, nëse nuk do ta shtypni ardhacakun, jetimin e të venë, nëse nuk do të derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend e nëse nuk do të rendni pas perëndive të tjerë për të zezën tuaj, unë do t'ju lejoj të banoni në këtë vend, në tokën që u dhashë etërve tuaj nga amshimi në amshim. Por, ja, ju u zini besë fjalëve të rreme e të pavlera. Mos vallë doni të vidhni, të vritni, të shkelni kurorën, të betoheni në rrenë, t'i kushtoni temjan Baalit e të rendni pas perëndive të tjerë që nuk i njihnit? Pastaj vini e qëndroni para meje në këtë tempull, në të cilin thirret emri im, e thoni: “Jemi të lirë”, që të mund të bëni gjithë këto ndyrësira. Mos vallë ky tempull, në të cilin thirret emri im, u bë shpellë vjedhësish në sytë tuaj? Ja, e pashë vetë, kumton Zoti. Shkoni, pra, te vendi im në Shiloh, ku e vura emrin tim të banonte në fillim, dhe shikoni çfarë bëra me të, për shkak të ligësisë së popullit tim, Izraelit. Tani, për shkak të të gjitha këtyre bëmave, kumton Zoti, megjithëse fola me ju që në fillim, fola e nuk më dëgjuat, ju thirra e nuk m'u përgjigjët, do të veproj me këtë tempull, në të cilin thirret emri im e të cilit ju i zini besë, e me këtë vend, që jua kisha dhënë juve dhe etërve tuaj, siç veprova me Shilohun. Do t'ju dëboj nga prania ime, siç dëbova të gjithë vëllezërit tuaj, mbarë farën e Efraimit». «Por ti mos u lut për këtë popull, mos larto për të përgjërime e lutje dhe mos ndërhyj tek unë, se nuk do të të dëgjoj. A nuk e sheh çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit? Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarrin dhe gratë përziejnë brumin, për t'i bërë kuleç mbretëreshës së qiellit. Pastaj u kushtojnë fli stërpikjeje perëndive të tjerë, për të më zemëruar mua. Mos vallë mua më fyejnë, kumton Zoti, apo veten, për turpin e vet? Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti im: ja, zemërimi im, tërbimi im zbrazet mbi këtë vend, mbi njerëzit e kafshët, mbi pemët e fushës e mbi frytet e tokës, e do të digjet pa u shuar. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Shtojuni flive tuaja fli shkrumbimi e hani mish, se unë as u fola e as u dhashë urdhra etërve tuaj për flitë e shkrumbimit e për flijimet, kur i nxora nga Egjipti, por u dhashë këtë urdhër: dëgjojeni zërin tim e unë do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im. Ecni në të gjitha udhët që do t'ju urdhëroj, që t'ju shkojë mbarë. Por ata nuk dëgjuan e nuk morën vesh. Përkundrazi, ndoqën shestimet kryeneçe të zemrës së tyre të ligë, prandaj u kthyen pas e nuk përparuan. Qëkurse etërit tuaj dolën nga Egjipti e deri më sot, ju kam dërguar pareshtur shërbëtorët e mi, profetët, por ata nuk dëgjuan, as morën vesh. Përkundrazi, u bënë kryeneçë e vepruan më keq se etërit e tyre”. Do t'u thuash të gjitha këto fjalë, por ata nuk do të të dëgjojnë. Do t'i thërrasësh, por ata nuk do të të përgjigjen. Atëherë do t'u thuash: “Ky është kombi që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë së vet, dhe nuk e pranon qortimin. Besnikëria ka marrë fund, është zhdukur nga goja e tyre. Qethi flokët e hidhi tej, vër kujën nëpër pllaja, se Zoti e përzuri dhe e braktisi brezninë që e zemëroi”. Se bijtë e Judës bënë çka është keq në sytë e mi, kumton Zoti. Ata vendosën ndyrësitë e veta në tempullin ku thirret emri im, për ta përdhosur. Ndërtuan faltoret në vende të larta për Tofetin, në luginën e Ben Hinomit, për të djegur në zjarr bijtë e bijat e veta, gjë që nuk u kisha urdhëruar e nuk më kishte shkuar nëpër mend. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur nuk do të quhet më Tofet e as lugina e Ben Hinomit, por lugina e Thertores. Atëherë Tofeti do të përdoret si vendvarrim, se s'do të ketë vend tjetërkund. Kufomat e popullit do të jenë ushqim për zogjtë e qiellit e për kafshët e tokës dhe s'do të ketë kush t'i trembë. Në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit do ta shuaj zërin e haresë dhe zërin e galdimit, zërin e dhëndrit dhe zërin e nuses, sepse toka do të bëhet e shkretë». «Në atë kohë, kumton Zoti, do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princave, eshtrat e priftërinjve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jerusalemit. Do të shpërndahen para diellit e hënës, para mbarë ushtrisë së qiejve, që ata i deshën, të cilëve u shërbyen, pas të cilëve shkuan, që u kërkuan udhëzim e i adhuruan. Jo, nuk do të mblidhen e as do të varrosen, por do të mbeten si plehu përmbi dhe. Do të zgjedhë vdekjen më shumë se jetën mbarë teprica që do të mbesë prej kësaj dere të mbrapshtë në vendet ku do t'i dëboj, kumton Zoti i ushtrive». «Do t'u thuash, se kështu thotë Zoti: kush rrëzohet, a nuk ngrihet sërish? Kush shmanget, a nuk kthehet sërish? Përse ky popull, Jerusalemi, u shmang, u bë besëshkalë, kokëfortë, u kap fort pas mashtrimit e u bë i pandreqshëm? Ua vura veshin dhe i dëgjova, por nuk flisnin hijshëm. Askush nuk tërhiqet nga ligësia e vet e thotë: “Çfarë bëra?”. Të gjithë kthehen në harbimin e vet, siç lëshohet kali në betejë. Edhe lejleku në qiell e njeh kohën e vet, turtulli, dallëndyshja e mëllenja e mbajnë kohën e rikthimit, por populli im nuk e njeh ligjësinë e Zotit. Si mund të thoni: jemi të urtë, se kemi me vete ligjin e Zotit? Ja, në mashtrim e ktheu pena mashtruese e shkruesve. Të urtët do të turpërohen, do të hutohen e do të zihen në lak. Ja, e përzunë fjalën e Zotit, e çfarë urtie mund të kenë? Prandaj, gratë e tyre do t'ua jap të tjerëve, arat e tyre pushtuesve, se nga më i vogli te më i madhi të gjithë kërkojnë të përfitojnë, nga profeti deri te prifti të gjithë veprojnë me mashtrim. Mjekojnë me mendjelehtësi plagën e popullit tim e thonë: “Paqe, paqe”, por paqe nuk ka. A u bënë me turp kur vepruan neveritshëm? As turpi nuk i mbuloi, as të skuqen nuk ditën, prandaj do të bien me të rënët, kur t'i ndëshkoj, do të shemben, kumton Zoti. Do të mblidhja e do të vilja, kumton Zoti, por nuk ka vile në hardhi, nuk ka fiq në fik, edhe gjethet janë vyshkur gjithçka u dhashë ka kaluar. Pse rrimë shtruar ne? Mblidhuni të shkojmë në qytetet e fortifikuara e aty të fundosemi, se Zoti, Perëndia ynë, na fundosi, se na dha të pimë ujë me helm, ngaqë mëkatuam kundër Zotit. Prisnim paqen, por nuk ka mirësi, kohën e shërimit, por, ja, tmerr. Nga Dani dëgjohet hingëllima e kuajve të tij, prej zërit ushtues të hamshorëve të tij dridhet toka mbarë. Vijnë dhe e përpijnë tokën me gjithçka është plot, qytetin me banorët e tij. Se ja, po dërgoj mes jush gjarpërinj, nepërka që nuk magjepsen, dhe do t'ju kafshojnë, kumton Zoti ». «Iku ngazëllimi im e më mbuloi pikëllimi, zemra po më lëshon. Ja zëri kushtrues i bijës së popullit tim nga një tokë e largët: “A nuk është Zoti në Sion? A nuk është aty mbreti i tij? Përse më zemëruan me idhujt e tyre, me kotësitë e huaja?”. Kaluan të korrat, iku vera e ne nuk kemi shpëtim. Lëndimi i bijës së popullit tim më lëndon, mbaj zi e më ka zënë pikëllimi. A nuk ka balsam në Gilead? A nuk ka mjek atje? Përse, pra, nuk iu përtëri shëndeti bijës së popullit tim? Ah, kokën gurrë uji ta kisha e sytë burim lotësh, ditë e natë të qaja të therurit e bijës së popullit tim». «Kush do të më japë në shkretëtirë një bujtinë udhëtarësh? Do ta braktisja popullin tim e do të ikja prej tij, se janë të tërë kurorëshkelës, një mori tradhtarësh. E ndehin gjuhën porsi hark, mashtrimi e jo besnikëria përtërihet mbi tokë, se bëjnë ligësi pas ligësie e mua nuk më njohin, kumton Zoti. Secili duhet të ruhet nga i afërti i vet, as te vëllai mos kini besim, se çdo vëlla mashtron prore, çdo i afërt shkon duke shpifur. Secili e mashtron të afërtin e nuk thotë të vërtetën. E kanë ushtruar gjuhën për të gënjyer, u këputën duke bërë ligësi. Banojnë në mes të mashtrimit e për shkak të mashtrimit s'pranojnë të më njohin, kumton Zoti. Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive: ja, do t'i spastroj e do t'i sprovoj, se si duhet të sillem me bijën e popullit tim? Shigjetë therëse është gjuha e tyre, me mashtrim flet goja e tyre. I urojnë paqen të afërtit, por me mend i ngrenë kurth. Mos vallë s'do t'i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti. Mos vallë s'do të hakmerrem me një komb si ky? Mbi male do ta ngre gjëmën e vajin e në kullotat e shkretëtirës ankimin, se janë të shkreta, askush nuk i përshkon e nuk dëgjohet britma e bagëtisë, që nga zogjtë e qiellit deri te bagëtitë shkuan e vanë. Do ta kthej Jerusalemin në një grumbull gurësh, në strofkë çakejsh. Qytetet e Judës do t'i bëj djerrinë, se do të mbesin pa banorë. Cili njeri i urtë e kupton këtë? Kujt i foli goja e Zotit, që ta shpallë? Pse është rrënuar toka, si një shkretëtirë ku nuk kalon askush? Thotë Zoti: meqë e braktisën ligjin që u parashtrova dhe nuk e dëgjuan zërin tim e nuk e ndoqën, por ndoqën zemërngurtësinë e vet dhe Baalët, siç i kishin mësuar etërit e tyre, prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do ta koj këtë popull me pelin dhe do t'i jap të pijë ujë të helmuar. Do t'i shpërndaj nëpër kombe, të cilat nuk i kanë njohur as ata, as etërit e tyre dhe do t'u dërgoj shpatën që t'i ndjekë derisa t'i kem shfarosur. Kështu thotë Zoti i ushtrive: vini re! Thirrni vajtueset të vijnë! Thirrni më të zonjat të vijnë». «Të nxitohen, t'ia nisin vajit mbi ne, që sytë tanë të derdhin lot e qepallat tona të rrjedhin çurg, se një zë vajtimi dëgjohet në Sion: “Si u rrënuam! Turp për ne, se e braktisëm vendin e i shembën banesat tona”. Dëgjojeni, o gra, fjalën e Zotit, ta pikasë veshi juaj fjalën e gojës së tij që t'u mësoni vajtimin bijave tuaja dhe gratë kujën njëra-tjetrës. Se vdekja u kacavar në dritaret tona, u fut në pallatet tona, për t'i këputur foshnjat nëpër rrugë, të rinjtë nëpër sheshe. Shpall! Kështu kumton Zoti: do të bien kufomat njerëzore si plehu përmbi ara, si duajt pas korrtarit, që s'ka kush i mbledh. Kështu thotë Zoti: të mos mburret i dituri me diturinë e vet, të mos mburret i forti me forcën e vet, të mos mburret i pasuri me pasurinë e vet! Por nëse mburret, le të mburret me këtë: se është i mençur e më njeh, se jam Zoti që vepron me dashuri, me të drejtë e drejtësi mbi tokë, se këto më pëlqejnë, kumton Zoti. Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do t'i ndëshkoj të gjithë të rrethprerët në lafshë, Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, të Moabit, si edhe të gjithë ata që banojnë në shkretëtirë me tëmtha të qethur, se të gjitha kombet janë të parrethprera, ndërsa mbarë shtëpia e Izraelit është e parrethprerë në zemër». Dëgjojeni fjalën që ju drejton Zoti, o shtëpia e Izraelit. Kështu thotë Zoti: «Mos i mësoni udhët e kombeve e mos u tmerroni nga shenjat e qiellit, meqë prej tyre kanë frikë kombet, se doket e kombeve janë kotësi, se idhujt janë një dru i prerë nga pylli, latuar me sëpatë nga dora e zejtarit. I zbukurojnë me argjend e ar, i kapin me gozhdë e çekanë, që të mos lëkunden. Si dordoleci në arë trangujsh janë e nuk flasin, duhet t'i mbartin, se nuk ecin dot. Mos kini frikë prej tyre, se nuk bëjnë dëm e nuk është në dorën e tyre as të bëjnë mirë». Askush nuk është si ti, o Zot. Ti je i madh e i madh është emri yt i fuqishëm. Kush nuk do të ta ketë frikën, o mbreti i kombeve? Vetëm ty të takon, se ndër gjithë të urtët e kombeve e në mbarë mbretëritë e tyre nuk ka si ti. Janë tok të marrë e të pamend, mësimi i tyre është kotësi, një copë dru është. Është argjend i rrahur, sjellë nga Tarshishi, dhe ar nga Ufazi, vepër zejtari e argjendari, veshur me vjollcë e me purpur të gjitha me mjeshtëri punuar. Por Zoti është vërtet Perëndi, Ai është Perëndia i gjallë e mbreti i amshuar. Prej zemërimit të tij dridhet toka, kombet nuk e durojnë furinë e tij. Kështu do t'u thuash: «Perënditë, që nuk bënë qiellin e tokën, do të zhbihen mbi tokë e nën qiell». Ai e bëri tokën me fuqinë e vet, me urtinë e vet e themeloi botën, qiejt me mençuri i shpalosi. Me ushtimën e tij trazohen ujërat në qiell, nga skaji i dheut i ngre retë, ai e lëshon vetëtimën në shi dhe nxjerr erën nga qilarët e vet. Çdo njeri hutohet nga padija, çdo farkëtar turpërohet prej idhujve, se e gënjeshtërt është çfarë ka farkëtuar e frymë në to nuk ka. Ato janë kotësira, vepra qesharake, në kohën e ndëshkimit, do të rrënohen. Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit, se ai i dha trajtë gjithçkaje, Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Zot i ushtrive është emri i tij. Mblidh trastat nga toka, o ti që banon i rrethuar, se kështu thotë Zoti: «Ja, do t'i flakëroj banorët e tokës këtë herë, do t'i zë ngushtë, që ta marrin vesh». Mjerë unë, për plagën time! Plaga ime është e rëndë, por thashë: «Është lëngata ime, duhet ta duroj». Tenda ime u rrënua, të gjitha tejzat iu këputën. Bijtë e mi ikën e më nuk janë, nuk ka kush e ngre sërish tendën time, nuk ka kush i ndeh pëlhurat. Se barinjtë u marrosën e nuk e pyesin Zotin, prandaj nuk u ecën mbarë e grigjat u janë shpërndarë. Dëgjohet një zë. Ja, po vjen. Një dridhmë e madhe nga dheu i veriut, për t'i shkretuar qytetet e Judës, për t'i kthyer në strofuj çakejsh. E di, o Zot, njeriu nuk e ka në dorë fatin e vet, njeriu ecën, por nuk i drejton dot hapat e veta. Ndreqmë, o Zot, por me drejtësi, jo me zemërimin tënd, që të mos më mpakësh. Derdhe hidhërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin, mbi fiset që nuk thërrasin emrin tënd, se e gllabëruan Jakobin, e përpinë e i dhanë fund, e shkretuan vendbanimin e tij. Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: «Dëgjojini fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe foluni njerëzve të Judës e banorëve të Jerusalemit. Thuaju atyre: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: mallkuar qoftë njeriu që nuk i dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje, që u urdhërova etërve tuaj, kur i nxora nga toka e Egjiptit, nga shkritoret. U pata thënë: dëgjojeni zërin tim dhe zbatoni gjithçka ju urdhërova, që ju të jeni populli im e unë të jem Perëndia juaj, që të mund ta mbaj betimin që u bëra etërve tuaj, për t'u dhënë një tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç është sot”». Atëherë unë u përgjigja: «Ashtu qoftë, Zot!». Dhe Zoti më tha: «Shpall në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit të gjitha këto fjalë: dëgjojini fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe zbatojini, se fort i porosita etërit tuaj, që nga dita kur i nxora nga Egjipti deri më sot, duke u thënë ta dëgjonin zërin tim. Por ata nuk dëgjuan e nuk vunë vesh, përkundrazi, secili ndoqi kryeneçësinë e zemrës së vet të ligë, prandaj ua vura kundër të gjitha fjalët e kësaj besëlidhjeje që u urdhërova ta zbatonin, por nuk e zbatuan». Zoti më tha: «Njerëzit e Judës dhe banorët e Jerusalemit kanë bërë një përbetim. Ata iu kthyen ligësive të hershme të etërve të tyre, të cilët nuk deshën t'i dëgjonin fjalët e mia, por shkuan pas perëndive të tjerë e u shërbyen. Shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës e thyen besëlidhjen që unë kisha bërë me etërit e tyre. Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, po u lëshoj një fatkeqësi, prej të cilës nuk mund të shpëtojnë. Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do t'i dëgjoj. Qytetet e Judës dhe banorët e Jerusalemit do të shkojnë e do të thërrasin perënditë, të cilëve u kushtojnë temjan, por ata nuk do t'i shpëtojnë, kur t'i ketë zënë fatkeqësia. Se sa numri i qyteteve të tua janë edhe perënditë e tua, o Judë. Sa numri i rrugëve të Jerusalemit janë altarët e turpit, altarët për t'i kushtuar temjan Baalit. Ti mos u lut për këtë popull. Mos lartëso përgjërime e lutje për të, se nuk do t'i dëgjoj, kur të më thërrasin në fatkeqësinë e tyre. Çfarë do i shtrenjti im në shtëpinë time? Ka kryer shumë vepra të liga. A mund të ta shmangë ndëshkimin mishi i kushtuar, që pastaj të ngazëllesh? Ulli i harlisur, i bukur e me fryte të shijshme, kështu ta kishte vënë emrin Zoti. Me ushtimën e stuhisë i vuri zjarr e u dogjën degët e tij. Zoti i ushtrive, që të mbolli, shpalli fatkeqësinë kundër teje, nga fatkeqësia që i shkaktoi vetes shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës, duke më zemëruar me flinë kushtuar Baalit. Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mora vesh, atëherë m'i zbulove veprimet e tyre. E unë, si qengj i butë që e çojnë në thertore, nuk e dija se sendërgjonin kundër meje: “Ta shembim pemën sa ka fryte, ta shkulim nga toka e të gjallëve, të mos i kujtohet më emri!”. O Zoti i ushtrive, gjykatës i drejtë, ti që veshkat dhe zemrën shqyrton, ma shfaq hakmarrjen tënde kundër tyre, se ty ta parashtrova çështjen time. Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive kundër njerëzve të Anatotit që duan të të marrin shpirtin e më thonë: “Mos profetizo në emër të Zotit, që mos të të vrasim me duart tona”. Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ja, do t'i ndëshkoj. Të rinjtë e tyre do të vdesin prej shpatës. Bijtë e bijat e tyre do të vdesin prej urisë. Nuk do të mbesë gjallë askush prej tyre, se do t'u lëshoj fatkeqësinë njerëzve të Anatotit, në vitin e ndëshkimit të tyre”». Ti je i drejtë, o Zot, që unë të të bëj gjyq, por për vendimet dua të flas me ty. Pse përparon udha e të mbrapshtëve dhe të gjithë tradhtarët janë të qetë? Ti i mbolle e ata vënë rrënjë, rriten e japin fryte. Të mbajnë afër me gojë, por larg ndjenjave të tyre. Por ti, o Zot, më njeh e më sheh, ma sprovove zemrën e ajo është me ty. Shqyeji porsi delet në thertore, ndaji veç për ditën e therjes. Deri kur do të rrijë në zi toka e bari i mbarë fushave do të vyshket? Kafshët e zogjtë shfarosen, për shkak të banorëve, se thonë: «Ai nuk e sheh të ardhmen tonë». Nëse ke vrapuar me këmbësorët e je lodhur, si do të bësh garë me kuajt? Nëse ke besim vetëm në një tokë të qetë, çfarë do të bësh në shkurrnajën e Jordanit? Se edhe vëllezërit tuaj e shtëpia e atit tënd, edhe ata të bënë dredhi, edhe ata të hakërrehen nga pas me plot gojën. Mos u beso, edhe nëse të flasin ëmbël. E braktisa shtëpinë time, e flaka trashëgiminë time, e lëshova të dashurën e shpirtit tim në duart e armiqve të mi. Trashëgimia ime sillet me mua si luani në pyll. Ngriti zërin kundër meje, prandaj e përbuz. Vallë, zog grabitqar larosh është trashëgimia ime për mua? Le ta rrethojnë zogjtë grabitqarë. Shkoni, mblidhni mbarë kafshët e egra e sillini të hanë. Barinj të shumtë e dëmtuan vreshtin tim, e shkelmuan arën time, arën time të dashur e kthyen në djerrinë të shkretë. E kthyen në dhe të shkretë e ashtu e shkretë më qahet mua. E shkretë është mbarë toka, se askush nuk e ka për zemër. Në të gjitha rrahet e shkretëtirës rendin shkatërrimtarët, se shpata e Zotit përlan nga njëri skaj i tokës në skajin tjetër e s'ka paqe për asnjë gjallesë. Mbollën drithë e korrën driza, u munduan e gjë s'fituan, do të turpërohen me të korrat e veta, për shkak të zemërimit të flaktë të Zotit. Kështu thotë Zoti: «Në lidhje me të afërmit e mi të mbrapshtë, të cilët prekin trashëgiminë që i dhashë popullit tim Izraelit, ja, do t'i zhbij nga mbarë dheu i tyre e do të shkul edhe shtëpinë e Judës nga mesi i tyre. Por, pasi t'i kem shkulur, do të kthehem, do t'i përdëllej e do t'i kthej secilin te trashëgimia e vet dhe te toka e vet. Pastaj, nëse mësojnë udhët e popullit tim dhe betohen në emrin tim: “Pasha Zotin e gjallë”, siç kishin mësuar popullin tim të betohej për Baalin, atëherë do të zënë vend në mes të popullit tim. Nëse nuk do të dëgjojnë, do ta zhbij atë komb e do ta zhduk, kumton Zoti ». Kështu më tha Zoti: «Shko e blej për vete një brez prej liri dhe vëre rreth ijëve pa e futur në ujë». E bleva brezin, siç më kishte thënë Zoti, dhe e vura rreth ijëve. Pastaj, fjala e Zotit m'u drejtua për së dyti: «Merre brezin që bleve dhe ke në ijë, ngrihu, shko në Eufrat dhe fshihe atje, në plasën e një shkëmbi». Atëherë shkova dhe e fsheha në Eufrat, siç më kishte urdhëruar Zoti. Pas shumë ditësh, Zoti më tha: «Ngrihu, shko në Eufrat dhe merre prej andej brezin që të urdhërova të fshehësh atje». Shkova në Eufrat, gërmova dhe e mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Dhe, ja, brezi ishte shpërbërë e s'i duhej gjë kujt. Atëherë m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: «Kështu thotë Zoti: njësoj do ta shpërbëj krenarinë e Judës dhe krenarinë e madhe të Jerusalemit. Ky popull i mbrapshtë, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që jeton në zemërngurtësi e shkon pas perëndive të huaj për t'u shërbyer e për t'i adhuruar, do të jetë si ky brez, që s'i duhet gjë kujt. Sepse, siç ngjishet brezi ijëve të një burri, ashtu e pata ngjeshur rreth meje mbarë shtëpinë e Izraelit e mbarë shtëpinë e Judës, kumton Zoti, që të ishin populli im, emri im, lavdi im e nderi im, por nuk më dëgjuan. Do t'u thuash këtë fjalë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: çdo kacek duhet të mbushet me verë”. E ata do të të thonë: “A nuk e dimë se çdo kacek duhet të mbushet me verë?”. Atëherë ti do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti: ja, do t'i bëj rrumbull e do t'i deh të gjithë banorët e kësaj toke, mbretërit që ulen mbi fronin e Davidit, profetët e mbarë banorët e Jerusalemit. Do t'i përplas me njëri-tjetrin, etër e bij njësoj, kumton Zoti. As dhimbja, as keqardhja, as mëshira nuk do të më ndalojnë t'i rrënoj”». Dëgjoni, mbani vesh e mos u krenoni, se është Zoti ai që po flet. Jepini lavdi Zotit, Perëndisë tuaj, para se të bjerë terri e para se t'u pengohen këmbët mbi male në mugëtirë. Ju prisni dritën, por ai e kthen në terratisje e kthen në sterrë. Nëse nuk do të dëgjoni, do të më vajtojë shpirti në fshehtësi prej mendjemadhësisë suaj. Lot do të derdhin e do të rrjedhin sytë e mi, se do të robërohet grigja e Zotit. Thuajini mbretit e nënës mbretëreshë: «Uluni poshtë, se ju ra prej kokës kurora e shkëlqimit tuaj». U ndrynë qytetet e Negevit e nuk ka kush t'i hapë, u shpërngul Juda mbarë, krejt u shpërngul. Çojini sytë, shikoni ata që vijnë nga veriu. Ku është tufa që të është dhënë, grigja jote e bukur? Çfarë do të thuash, kur ai të vërë mbi ty ata që i zure miq? A nuk do të të zënë dhimbjet si gruan kur lind? E nëse thua në zemrën tënde: «Përse më goditën këto?», shkak është paudhësia jote e madhe që të është përvjelë fundi e je përdhunuar. A mund të ndërrojë lëkurë kushiti, apo leopardi njollat? Po ju, të mësuar të bëni keq, a mund të bëni mirë? Do t'ju shpërndaj si bykun që e merr era e shkretëtirës. Ky është shorti yt, pjesa që mata për ty, kumton Zoti, se më harrove mua e i besove mashtrimit. Prandaj edhe unë do të ta ngre fundin deri në fytyrë, që të shihet turpi yt. I shoh kurvëritë e tua, ofshamat e tua, ligësinë e tradhtive të tua, pështirësitë e tua, në kodrinat e arave. Mjerë ti, Jerusalem! Ti nuk je i pastër. Deri kur? Fjala e Zotit drejtuar Jeremisë në lidhje me thatësirën. Juda është në zi e portat e tij lëngojnë, vajtojnë përdhe e gjëma e Jerusalemit ngrihet lart. Fisnikët e tyre dërgojnë vegjëlinë për ujë, vijnë te sternat, por ujë nuk gjejnë e kthehen me enët zbrazur. Mbeten të turpëruar e të poshtëruar, ndaj kokën mbulojnë. Dheu është plasaritur, se nuk bie shi mbi tokë, ndaj bujqit janë turpëruar e kokën kanë mbuluar, edhe drenusha në fushë pjell dhe e braktis pjellën, se nuk ka bar. Gomarët e egër qëndrojnë mbi rrahe, gulçojnë për frymë si çakej, u perëndojnë sytë, se nuk ka blerim. «Ndonëse fajet tona dëshmojnë kundër nesh, o Zot, vepro për hir të emrit tënd, se të shumta janë pabesitë tona, kundër teje kemi mëkatuar. O shpresë e Izraelit, shpëtimtari i tij në kohë ngushtice, pse do të jesh si bujtës në tokë, si kalimtar që kthehet për një natë? Pse bën si njeri i hutuar, si trimi që nuk mund të sjellë shpëtim? Por, ti je mes nesh, o Zot, e mbi ne thirret emri yt. Mos na braktis!». Kështu thotë Zoti për këtë popull: «Ua ka ënda të enden, nuk u zënë këmbët dhe, prandaj nuk i pëlqejnë Zotit. Ai do të kujtohet për fajet e tyre dhe do t'i ndëshkojë mëkatet e tyre». Zoti më tha: «Mos u lut për këtë popull, për mirëqenien e tij. Edhe po të agjërojnë, nuk do t'ua dëgjoj britmën. Edhe po të kushtojnë fli shkrumbimi e fli drithi, nuk do t'i pranoj. Përkundrazi, me shpatë, me zi buke e me murtajë do t'i shfaros». Atëherë thashë: «Ah, Zot, Zoti im! Ja, profetët u thonë: nuk do të shihni shpatë, as do të ketë zi buke për ju, se ai do t'ju japë një paqe të vërtetë në këtë vend». Pastaj Zoti më tha: «Profetët kanë profetizuar gënjeshtra në emrin tim. Unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë urdhra e nuk u kam folur. Ata ju profetizojnë vegime të rreme, parashikime të kota dhe mashtrimet e zemrave të veta. Prandaj, kështu thotë Zoti për profetët që profetizojnë në emrin tim, megjithëse nuk i kam dërguar unë, dhe që thonë: “As shpata, as zia e bukës nuk do të bien mbi këtë tokë”. Prej shpatës e zisë së bukës do të marrin fund ata profetë. Populli, të cilit ata do t'i profetizojnë, do të nxirret jashtë në rrugët e Jerusalemit, për shkak të zisë së bukës e të shpatës, pa pasur kush t'i varrosë as ata, as gratë, as bijtë e as bijat e tyre. Do të zbraz mbi ta ligësitë e tyre. Ti thuaju këtë fjalë: le të rrjedhin lot sytë e mi natë e ditë pa pushim, se e theu, e copëtoi virgjëreshën, bijën e popullit tim, plaga dhe sëmundja e rëndë. Nëse dal në arë, ja, të therurit me shpatë. Nëse hyj në qytet, ja, të vdekurit prej urisë. Edhe profeti, edhe prifti, sillen nëpër vend e s'dinë. A e ke hedhur tej Judën? A të neveritet Sioni? Pse na ke goditur e s'ka shërim për ne? Prisnim paqen, por nuk ka mirësi, kohën e shërimit, por, ja, tmerr. E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë e fajin e etërve tanë, se kemi mëkatuar kundër teje. Mos na përbuz, për hir të emrit tënd, mos e përçmo fronin e lavdisë sate, kujtohu e mos e thyej besëlidhjen me ne. A ka ndër idhujt e kombeve ndonjë që mund të sjellë shiun? A e lëshojnë qiejt vetë shtrëngatën? A nuk je ti ai, o Zot, Perëndia ynë? Ne shpresojmë te ti, se të gjitha këto ti i ke bërë». Zoti më tha: «Edhe po të qëndronin para meje vetë Moisiu e Samueli, shpirti im nuk do të prirej drejt këtij populli. Dëboji nga prania ime e le të ikin. E kur të të pyesin: “Ku të shkojmë?”, ti do t'u thuash: kështu thotë Zoti: kush është për vdekje, në vdekje; kush është për shpatë, në shpatë; kush është për zi buke, në zi buke; kush është për robëri, në robëri. Do të dërgoj mbi ta katër lloje mynxyrash, kumton Zoti: shpatën për të vrarë, qentë për të zvarritur, zogjtë e qiellit dhe kafshët e tokës për të gëlltitur e për të shkatërruar. Do t'i bëj tmerrin e mbarë mbretërive të dheut, për shkak të asaj që bëri në Jerusalem Manaseu, biri i Ezekisë, mbretit të Judës. Kush do të të mëshirojë, o Jerusalem, e kush do të të ngushëllojë? Kush do të kthehet për të të pyetur si je? Ti më dëbove, kumton Zoti, po ecën prapthi, ndaj shtriva dorën kundër teje e të shkatërrova. U lodha së përdëllyeri. I shpërndava me terplote te portat e vendit, e lashë pa fëmijë, e rrënova popullin tim, se nuk u kthyen prej udhëve të tyre. Të vejat e tij m'u shtuan më shumë se rëra e detit. Solla kundër nënave e kundër të rinjve rrënimtarin në mes të ditës, zbraza mbi ta papritur trazim e tmerrim. U mek ajo që lindi shtatë fëmijë, e la fryma. I perëndoi dielli që me ditë, u turpërua e u trondit. Tepricën e tyre do t'i shkoj në shpatë para armiqve të tyre, kumton Zoti». Vaj për mua, o nëna ime, që më linde mua njeri rragatjesh e kundërshtimesh për mbarë vendin! As dhashë e as mora hua, e, pra, të gjithë më mallkojnë. Zoti tha: «A nuk të ruajta ty për të mirë? A nuk e bëra armikun të të lutej në kohë të liga e në kohë ngushtice? A thyhet hekuri, hekuri i veriut dhe bronzi? Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t'i jap për plaçkë, pa çmim, për shkak të mëkateve tuaja, anembanë trojeve tuaja. Do të të bëj skllav të armiqve të tu në një tokë që ti nuk e njeh, se u ndez zjarri i zemërimit tim që do të përflaket kundër teje». Ti e di, o Zot. Kujtohu për mua, eja tek unë e hakmerru me përndjekësit e mi. Falë durimit tënd, mos më zhbij. Përfille qortimin që durova për shkakun tënd. U shfaqën fjalët e tua e unë i përpiva. Fjalët e tua u bënë për mua gëzimi e hareja e zemrës sime, sepse thirra emrin tënd, o Zot, Perëndia i ushtrive. Nuk ndenja në shoqërinë e hokatarëve e nuk u argëtova. Për shkak të dorës sate ndenja i vetëm, se me hidhërim më kishe mbushur. Pse nuk merr fund dhimbja ime e plaga ime e pashërueshme s'pranon të shërohet? Ti u bëre për mua si mashtrim, si uji, që s'i zihet besë. Prandaj, kështu thotë Zoti: «Nëse kthehesh, unë do të të kthej e ti do të qëndrosh në praninë time. Nëse do të nxjerrësh të vyerën nga e pavyera, do të jesh si goja ime. Ata do të kthehen drejt teje, por ti nuk do të kthehesh drejt tyre. Para këtij populli do të të bëj mur bronzi të fortifikuar. Do të luftojnë kundër teje, por nuk do të të mundin, se me ty do të jem unë, për të të çliruar», kumton Zoti. «Do të të çliroj prej dorës së të paudhëve, do të të shpengoj prej dorës së mujsharëve». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Mos merr grua, e mos lind bij e as bija në këtë vend. Se kështu thotë Zoti për bijtë e bijat që lindin në këtë tokë, për nënat e për etërit që i lindën në këtë tokë: ata do të vdesin prej sëmundjeve vdekjeprurëse, nuk do të vajtohen e nuk do të varrosen. Do të jenë si plehu mbi faqen e dheut. Do të marrin fund prej shpatës e prej urisë dhe kufomat e tyre do të jenë ushqim për zogjtë e qiellit dhe për egërsirat e tokës. Se kështu thotë Zoti: mos hyr në një shtëpi ku mbahet zi, mos shko për të vajtuar apo për t'i ngushëlluar, se e kam hequr paqen time prej këtij populli, besnikërinë time dhe mëshirën time, kumton Zoti. Në këtë vend do të vdesin i madh e i vogël, nuk do të varrosen e nuk do të mbahet zi për ta. Askush nuk do të çirret e askush nuk do të qethet për ta. Kush mban zi, për të nuk do të thyhet buka për ta ngushëlluar për të vdekurin e askush nuk do t'i japë të pijë kupën e ngushëllimit për të atin e për të ëmën. Mos hyr as në një shtëpi ku bëhet festë, për t'u ulur, të hash e të pish me ta, se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do ta këpus prej këtij vendi, para jush e në kohën tuaj, zërin e gëzimit e zërin e haresë, zërin e dhëndrit e zërin e nuses. Pasi t'ia shpallësh këtij populli të gjitha këto fjalë, do të të pyesin: “Pse e shpalli Zoti tërë këtë zezonë të madhe kundër nesh? Cili është faji ynë e cili është mëkati që bëmë kundër Zotit, Perëndisë tonë?”. Atëherë ti do të përgjigjesh: “Sepse etërit tuaj më braktisën, kumton Zoti, dhe ndoqën perënditë e tjerë, u shërbyen atyre e i adhuruan, më braktisën e nuk e mbajtën ligjin tim, dhe ju vepruat më keq se etërit tuaj. Ja, secili prej jush shkon me kryeneçësi sipas zemrës së vet të ligë e nuk më dëgjon mua. Prandaj do t'ju flak nga kjo tokë, drejt një toke që nuk e keni njohur as ju, as etërit tuaj, dhe aty do t'u shërbeni ditë e natë perëndive të huaj, sepse nuk do t'ju përkrah më”». «Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur nuk do të thuhet më: “Pasha Zotin që i nxori izraelitët nga dheu i Egjiptit”, por: “Pasha Zotin që i nxori izraelitët nga dheu i veriut e nga të gjitha vendet ku i pati dëbuar”. E unë do t'i kthej në tokën e vet, që ua pata dhënë etërve të tyre. Ja, do t'u dërgoj peshkatarë të shumtë për t'i peshkuar, kumton Zoti. Pastaj do t'u dërgoj gjuetarë të shumtë për t'i gjuajtur prej çdo mali, prej çdo kodre e prej të çarave të shkëmbinjve, sepse sytë e mi i shikojnë të gjitha udhët e tyre. Nuk fshihen dot prej meje e faji i tyre nuk u shpëton syve të mi. Së pari, do ta shpaguaj dyfish fajin e tyre dhe mëkatin e tyre, se e përdhosën tokën time me kufomat e idhujve të tyre dhe e mbushën trashëgiminë time me pështirësitë e tyre». O Zot, forca ime e mburoja ime, streha ime në ditën e ngushticës, te ti do të vijnë kombet nga skajet e dheut e do të thonë: «Etërit tanë zotëronin veçse mashtrim e kotësi që nuk kanë vlerë». A mund të bëjë njeriu Perëndi për vete? E, pra, ata nuk janë Perëndi. Prandaj, ja, do t'ua bëj të ditur këtë herë dorën time e fuqinë time dhe do ta marrin vesh se Zot është emri im. Mëkati i Judës është shkruar me penë të hekurt, është gdhendur me majë diamanti në rrasën e zemrës së tyre dhe në brirët e altarëve tyre. Kështu do t'i kujtojnë bijtë e tyre altarët dhe shtyllat e Asherave të tyre pranë pemëve të harlisura, në kodra të larta, në mal e në arë. Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t'i jap për plaçkë, për shkak të mëkatit të faltoreve në vende të larta të trojeve të tua. Do të heqësh dorë nga trashëgimia jote, që unë ta pata dhënë, do të të bëj skllav të armiqve të tu në një tokë që nuk e njeh, se e ndeze zemërimin tim që do të jetë në flakë përgjithmonë. Kështu thotë Zoti: «Mallkuar ai burrë që në njeriun beson, që gjen forcë te qenia njerëzore e prej Zotit zemrën e largon. Do të jetë si shkurrja në stepë e nuk do të shohë si vjen e mbara, do të banojë thatinave në shkretëtirë, në tokë kripore të pabanueshme. Bekuar njeriu që në Zotin beson, besimi i të cilit është Zoti vetë. Do të jetë si pemë e mbjellë ndanë ujit, që rrënjët drejt rrjedhës i shtrin. Nuk do t'i trembet zhegut që vjen, e gjethet do t'i harlisen. Në vitin e thatësirës nuk do ta zërë brenga e nuk do të reshtë së dhëni fryte. Më mashtruese është zemra se çdo gjë, e pashërueshme është ajo, kush mund ta kuptojë? Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën, hetoj veshkat, për t'i dhënë secilit sipas sjelljes së vet, sipas frytit të veprave të veta. Si shkurta që ngroh vezët që s'i ka bërë vetë, ashtu edhe kush mbledh pasuri me padrejtësi: në gjysmën e ditëve të tij do ta bjerrë e në fund do të mbetet i marrë». Fron i lavdishëm, i lartësuar që në krye të herës, është vendi i shenjtërores sonë. O shpresë e Izraelit, o Zot, ata që të braktisin do të turpërohen të gjithë, ata që të kthejnë krahët, mbi pluhur do të shkruhen, se braktisën burimin e ujit të gjallë: Zotin. Shëromë, o Zot, e do të shërohem, shpëtomë, e do të shpëtohem, se ti je lavdi im. Ja, ata më thonë: «Ku është fjala e Zotit? Le të përmbushet, pra». Por unë nuk u shporra, nuk reshta së shërbyeri pas teje si bariu, ditën e zezë nuk e dëshirova, ti e di, çfarë doli nga buzët e mia, para teje ishte. Mos u bëj tmerr për mua, ti, streha ime në ditë të ligë. U turpërofshin armiqtë e mi, por mos u turpërofsha unë! U tmerrofshin ata e mos u tmerrofsha unë! Sillua atyre ditën e ligë e rrënoi me dy rrënime. Kështu më tha Zoti: «Shko e qëndro te Porta e Popullit, nëpër të cilën hyjnë mbretërit e Judës e nga e cila dalin, edhe te të gjitha portat e Jerusalemit. E thuaju: dëgjojeni fjalën e Zotit, o mbretërit e Judës, mbarë Juda e të gjithë banorët e Jerusalemit, që hyjnë nëpër këto dyer. Kështu thotë Zoti: për hir të jetës suaj, kini kujdes të mos mbartni asnjë barrë në ditën e shtunë e mos ta sillni përmes portave të Jerusalemit. Mos nxirrni asnjë barrë nga shtëpitë tuaja në ditë të shtunë e mos bëni asnjë punë, por shenjtërojeni ditën e shtunë, siç i urdhërova etërit tuaj. Veçse ata nuk dëgjuan e nuk vunë vesh, por u bënë kryeneçë, për të mos e dëgjuar e për të mos e pranuar qortimin. Nëse do të më dëgjoni mirë, kumton Zoti, nëse nuk do të sillni asnjë barrë nëpër dyert e këtij qyteti në ditë të shtunë e do ta shenjtëroni ditën e shtunë, pa bërë asnjë punë në të, atëherë do të hyjnë nëpër dyert e këtij qyteti mbretër e princa, që ulen mbi fronin e Davidit, me karroca e kuaj, ata e zyrtarët e tyre, burrat e Judës dhe banorët e Jerusalemit, e ky qytet do të banohet përgjithmonë. Do të vijnë prej qyteteve të Judës e prej rrethinave të Jerusalemit, prej dheut të Benjaminit, nga Shefelahu, nga kodrinat, nga Negevi, duke mbartur fli shkrumbimi, fli drithi, temjan e duke sjellë fli falënderimi në tempullin e Zotit. Por, nëse nuk do të më dëgjoni mua, për të shenjtëruar ditën e shtunë, për të mos mbartur barra e për të mos i sjellë nëpër dyert e Jerusalemit në ditë të shtunë, unë do të ndez në dyert e tij një zjarr që do t'i përpijë kullat e Jerusalemit e nuk do të shuhet». Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: «Çohu e zbrit te shtëpia e poçarit e atje do të dëgjosh fjalët e mia». Atëherë zbrita te shtëpia e poçarit dhe, ja, po punonte në çark. Ena që po bënte prej balte u prish në dorë të poçarit, por ai ia nisi sërish e bëri një tjetër enë, siç ia pati ënda ta bënte. Atëherë m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: «A nuk mund të veproj me ju porsi ky poçar, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti? Ja, porsi balta në dorë të poçarit, kështu jeni ju në dorën time, o shtëpia e Izraelit. Nëse vendos, për ndonjë komb a mbretëri, ta zhbij, ta shemb e ta shkatërroj, por ai komb, kundër të cilit kisha folur, heq dorë nga paudhësia e vet, atëherë edhe unë pendohem për mynxyrën që kisha shestuar të bëja kundër tij. Nëse vendos, për ndonjë komb a mbretëri, ta ngre e ta mbjell, por ai bën paudhësi në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, atëherë edhe unë pendohem për të mirën që kisha premtuar në dobi të tij. Tani thuaju burrave të Judës dhe banorëve të Jerusalemit: “Kështu thotë Zoti: ja, unë po gatis një fatkeqësi kundër jush, po shestoj kundër jush, prandaj secili të heqë dorë nga sjellja e mbrapshtë dhe të përmirësojë sjelljet e veprimet e tij”». Por ata do të thonë: «Është e kotë, sepse ne do të ndjekim shestimet tona. Secili do të veprojë me kokëfortësi sipas zemrës së vet të ligë». Prandaj, kështu thotë Zoti: «Pyetni ndër kombe kush ka dëgjuar gjëra të tilla? Poshtërsi të madhe bëri virgjëresha e Izraelit. A zhduket bora e Libanit nga shkëmbinjtë përmbi fusha? A shterohen ujërat e maleve që rrjedhin plot freski? Por, populli im më harroi, idhujve u kushtuan fli, u penguan udhëve të veta, shtigjeve të dikurshme, për të ecur rruginave, udhës pa udhë, për ta kthyer tokën e vet në mjerim, në tallje të përhershme. Kush kalon ndanë saj tmerrohet e tund kokën. Si era e lindjes do t'i përhap para armiqve të tyre. Do t'u tregoj shpinën e jo fytyrën në ditën e zezonës». Atëherë thanë: «Ejani të thurim trille kundër Jeremisë, se nuk do të marrë fund mësimi i ligjit nga prifti, as këshilla nga i urti e as fjala nga profeti. Ejani t'ia ndalim gjuhën e të mos i vëmë vesh asnjë fjale të tij». Vëmë vesh, o Zot, e dëgjoje zërin e paditësve të mi. A shpërblehet e mira me të keqe? Ja, ata më kanë bërë gropën. Kujtohu si qëndroja para teje për të folur mirë për ta, për ta shmangur prej tyre zemërimin tënd. Prandaj, falua bijtë e tyre urisë, hidhi në teh të shpatës. Gratë e tyre mbetshin beronja e të veja, burrat e tyre u thershin e vdekshin, bijtë e tyre i vraftë shpata në betejë! U dëgjoftë gjëma nga shtëpitë e tyre, kur befas të lëshosh mbi ta hordhitë, se më hapën gropën për të më kapur e ngritën kurth për këmbët e mia. Ti i njeh, o Zot, të gjitha synimet e tyre vdekjeprurëse kundër meje. Mos ua fal ligësinë, mëkatin e tyre mos e hiq sysh. U rrëzofshin para teje! Në kohën e zemërimit tënd vepro kundër tyre. Kështu thotë Zoti: «Shko e bli një poç balte të poçarit me disa nga pleqtë e popullit e me disa nga pleqtë e priftërinjve, dil në luginën e Ben Hinomit, që është te hyrja e Portës së Poçarisë, e aty shpall fjalët që do të të them. Thuaj: “Dëgjojeni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës e banorë të Jerusalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, po dërgoj një zezonë në këtë vend, që do t'u buçasë në veshë të gjithë atyre që do ta dëgjojnë, sepse më braktisën mua dhe e përdhosën këtë vend, duke u kushtuar fli perëndive të tjerë, që nuk i njihnin as ata, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës. E nginjën këtë vend me gjakun e të pafajshmëve dhe ndërtuan faltore në vende të larta për Baalin, për t'i djegur në zjarr bijtë e tyre si fli shkrumbimi për Baalin, gjë që unë as e kisha urdhëruar, as vendosur e as më kishte shkuar nëpër mend”. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, e ky vend nuk do të quhet më Tofet e as lugina e Ben Hinomit, por lugina e Thertores. Në këtë vend do t'ia dështoj synimet Judës e Jerusalemit. Do t'i lë të bien nga shpata para armiqve të tyre e në dorë të atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Kufomat e tyre do t'ua jap për ushqim zogjve të qiellit e shtazëve të tokës. Do ta kthej këtë qytet në gërmadhë e në shpoti. Të gjithë ata që do të kalojnë ndanë tij do të shtangen e do të fërshëllejnë përballë plagëve të tij. Do t'u jap të hanë mishin e bijve dhe mishin e bijave të veta. Do të hanë mishin e njëri-tjetrit në rrethimin e në ngushticën ku do t'i shtrëngojnë armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Pastaj do ta copëtosh poçin para syve të burrave që do të kenë ardhur me ty e do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: do ta copëtoj këtë popull e këtë qytet, siç copëtohet ena e poçarit që nuk mund të ndreqet më. Edhe në Tofet do të varrosen, se nuk do të ketë vend për të varrosur. Kështu do të veproj me këtë vend, kumton Zoti, dhe me banorët e tij, e këtë qytet do ta bëj si Tofetin. Shtëpitë e Jerusalemit dhe shtëpitë e mbretërve të Judës, të gjitha shtëpitë mbi pullazet e të cilave është djegur temjan për mbarë ushtrinë e qiellit dhe janë derdhur fli stërpikjeje për perënditë e tjerë, do të jenë të papastra, si vendi i Tofetit”». Atëherë Jeremia u kthye nga Tofeti, ku e kishte dërguar Zoti për të profetizuar, zuri vend në tremen e tempullit të Zotit e i tha mbarë popullit: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do të sjell mbi këtë qytet e mbi të gjitha fshatrat e tij tërë zezonën, për të cilën e kisha paralajmëruar, sepse u bënë kryeneçë e nuk pranuan të ma dëgjonin fjalën». Prifti Pashhur, biri i Imerit, kryepërgjegjës në tempullin e Zotit, e dëgjoi Jereminë duke profetizuar këto gjëra. Pashhuri e rrahu profetin Jeremi dhe e futi në qelinë që gjendej te Porta e Epërme e Benjaminit, në tempullin e Zotit. Të nesërmen, kur Pashhuri e nxori Jereminë nga qelia, Jeremia i tha: « Zoti nuk do të të thërrasë më Pashhur, por “tmerr rreth e qark”. Se kështu thotë Zoti: ja, do të të fus tmerrin ty e mbarë miqve të tu. Do të bien prej shpatës së armiqve të tyre e ti do t'i shohësh me sytë e tu. Mbarë Judën do ta dorëzoj në dorë mbretit të Babilonisë. Ai do t'i shpërngulë në Babiloni e do t'i godasë me shpatë. Mbarë pasurinë e këtij qyteti, të gjitha pronat, të gjitha gjërat e çmueshme dhe të gjitha thesaret e mbretërve të Judës do t'ua dorëzoj armiqve të tyre. Ata do t'i plaçkitin, do t'i kapin e do t'i shpërngulin në Babiloni. Edhe ti, Pashhur, e gjithë sa banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri, në Babiloni do të shkoni, atje do të vdisni e atje do të varroseni, ti e të gjithë miqtë e tu, për të cilët ke profetizuar rrejshëm. Ti më joshe, o Zot, e unë u josha, më munde e fitove. Shpoti u bëra tërë ditën, të gjithë tallen me mua Se sa herë flas, bërtas: “Dhunë e rrënim!”, thërras, se shkak qesëndie u bë për mua fjala e Zotit e shkak përqeshjeje tërë ditën. Thosha me vete: “Nuk do ta kujtoj më, e nuk do të flas më në emrin e tij”. Por kisha në zemër një si zjarr flakërues, të ndryrë brenda kockave të mia. U orvata ta ndalja, por nuk munda. Dëgjoja pëshpërimat e shumicës: “Tmerr rreth e qark! Paditeni! Ta paditim!”. Të gjithë dashamirësit e mi prisnin rrëzimin tim: “Ndoshta do të gënjehet, mund ta mposhtim e të marrim hak kundër tij”. Por Zoti është me mua porsi trim i frikshëm, ndaj do të dridhen përndjekësit e mi e nuk do të ngadhënjejnë. Do të koriten fare, se nuk do t'ia dalin, me turp të përhershëm që nuk do të harrohet. O Zoti i ushtrive, që e shqyrton të drejtin, që shqyrton veshkat e zemrën, shfaqma hakmarrjen tënde kundër tyre, se ty ta parashtrova çështjen time. Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, se e çliroi jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësit. Mallkuar dita kur u linda! Dita kur më lindi ime më mos qoftë e bekuar! Mallkuar qoftë njeriu që i solli lajmin tim eti e i tha: “Të ka lindur djalë” e me ngazëllim e ngazëlleu. Ai njeri qoftë si qyteti, që Zoti e përmbysi pa mëshirë. Dëgjoftë britma në ag e ulërima në mesditë, se nuk më la të vdisja që në bark; ime më do të ishte për mua varr e barku i saj shtatzënë përjetë. Pse dola nga barku, për të parë mund e pikëllim e për t'i sosur me turp ditët e mia?». Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë kur mbreti Sedeki dërgoi tek ai Pashhurin, birin e Malkjahut, dhe priftin Sofoni, birin e Masejahut, për t'i thënë: «Pyete Zotin për ne, se Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, na ka hapur luftë. Ndoshta Zoti do të veprojë me ne sipas tërë mrekullive të veta që ai të largohet prej nesh». Jeremia iu përgjigj: «Kështu thuajini Sedekisë: kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: ja, do t'i kthej armët e luftës që keni në dorë, me të cilat luftoni kundër mbretit të Babilonisë e kundër kaldenjve, që u kanë vënë rrethimin jashtë mureve, e do t'i grumbulloj në mes të këtij qyteti. Unë vetë do të luftoj kundër jush, me dorë të shtrirë e me krah të fuqishëm, me zemërim, me tërbim e me furi të madhe. Do t'i godas banorët e këtij qyteti, njerëzit e kafshët. Nga murtaja e rëndë do të vdesin. E pastaj, kumton Zoti, Sedekinë, mbretin e Judës, shërbëtorët e tij dhe popullin që do t'i ketë shpëtuar murtajës, shpatës e urisë në këtë qytet, do t'ia dorëzoj Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, do t'i lë në duart e armiqve të tyre dhe në duart e atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Ai do t'i shkojë në teh të shpatës, pa keqardhje për ta, pa mëshirë e pa përdëllim. Ndërsa këtij populli thuaji: “Kështu thotë Zoti: ja, po ju vë përpara udhën e jetës dhe udhën e vdekjes. Kush do të mbesë në këtë qytet, do të vdesë prej shpatës, prej urisë e prej murtajës, ndërsa ata që do të ikin e do t'u dorëzohen kaldenjve, që ju kanë rrethuar, do të jetojnë e do të kenë për plaçkë jetën e vet, se jam drejtuar kundër këtij qyteti për keq e jo për mirë, kumton Zoti. Do të bjerë në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta djegë me zjarr”». Shtëpisë së mbretërve të Judës thuaji: «Dëgjojeni fjalën e Zotit, o shtëpia e Davidit. Kështu thotë Zoti: gjykoni me drejtësi çdo mëngjes, lirojeni nga dora e shtypësit atë që e kanë vjedhur, që të mos shpërthejë si zjarr zemërimi im, të mos përflaket pa e shuar askush, për shkak të veprave tuaja të liga. Kundruall më ke, o banorja e luginës, o shkëmbi i rrafshinës, kumton Zoti, ju që thoni: kush do të zbresë kundër nesh, kush do të hyjë në vendstrehimet tona? Do t'ju ndëshkoj sipas frytit të veprave tuaja, kumton Zoti, do t'i vë zjarrin pyllit të saj e rreth saj do të djegë gjithçka». Kështu thotë Zoti: «Zbrit te shtëpia e mbretit të Judës, shpall atje këtë fjalë e thuaj: dëgjoje fjalën e Zotit, o mbreti i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyjnë nëpër këto porta. Kështu thotë Zoti: zbatoni të drejtën e drejtësinë dhe çlirojeni nga dora e shtypësit atë që e kanë vjedhur. Mos e mundo e mos dhuno ardhacakun, jetimin e të venë. Mos derdh gjak të pafajshëm në këtë vend. Sepse, po ta zbatoni me të vërtetë këtë urdhër, mbretërit që ulen mbi fronin e Davidit do të hyjnë përsëri nëpër portat e kësaj shtëpie, kaluar mbi karroca e mbi kuaj, bashkë me shërbëtorët e me popullin e vet. Por, nëse nuk do t'i dëgjoni këto fjalë, betohem për veten time, kumton Zoti, se kjo shtëpi do të kthehet në gërmadhë. Se kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: si Gileadi je ti për mua, si kreshta e Libanit, por do të të kthej në shkretëtirë, në qytet të pabanuar. Do të caktoj rrënimtarë kundër teje, secilin me armët e veta, do t'i presin cedrat e tu të zgjedhur e do t'i hedhin në zjarr. Shumë kombe do të kalojnë ndanë këtij qyteti e do t'i thonë njëri-tjetrit: “Pse veproi kështu Zoti me këtë qytet madhështor?”. E do të përgjigjen: “Sepse kishin braktisur besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së tyre, kishin adhuruar perëndi të tjerë e atyre u kishin shërbyer”». Mos qani për të vdekurin e mos vajtoni për të! Qani me lot për ikanakun, se më nuk do të kthehet për ta parë dheun ku u lind. Se kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josisë, mbretit të Judës, që mbretëroi në vend të Josisë, atit të vet, i cili iku nga ky vend: «Nuk do të kthehet më këtu, por, në vendin ku e shpërngulën, atje do të vdesë e nuk do ta shohë më këtë dhe. Mjerë kush e ndërton shtëpinë me padrejtësi e katin e epërm pa të drejtë, që e bën të punojë falas të afërtin e nuk i jep mëditjen dhe thotë: “Do të ndërtoj për vete një shtëpi të madhe, me dhomat e epërme të gjera” dhe i hap dritare, e vesh me cedër e lyen me të kuqe. Vallë, a bëhesh mbret pse matesh me cedër? A nuk kishte për të ngrënë e për të pirë yt atë? Ai veproi me të drejtë e drejtësi, prandaj i shkoi mbarë, i dha të drejtën skamnorit e nevojtarit, prandaj i shkoi mbarë. A nuk është kjo mënyra për të më njohur, kumton Zoti? Por ti s'ke sy, as zemër, përveçse për të përfituar, për të derdhur gjak të pafajshëm, për të ushtruar shtypje e dhunë». Prandaj, kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josisë, mbretit të Judës: «Nuk do të vajtojnë për të: “Mjerë unë, vëllai im; mjerë unë, motra ime!”. Nuk do të vajtojnë për të: “Mjerë unë, zotëri; mjerë unë, lartmadhëri!”. Do të varroset siç varroset gomari, do ta zvarrisin e do ta flakin përtej portave të Jerusalemit. Ngjitu në Liban e bërtit, në Bashan ngrije zërin, bërtit në Abarim, se u thyen të gjithë dashnorët e tu. Fola me ty kur ishe e begatë, por the: “Nuk do të dëgjoj”. Kjo ka qenë sjellja jote që në rini, se nuk e dëgjoje zërin tim. Të gjithë barinjtë e tu do t'i kullotë era e dashnorët e tu do të shkojnë në robëri. Atëherë do të turpërohesh e do të poshtërohesh për gjithë ligësinë tënde. O ti që banon në Liban, që e ke vënë folenë ndër cedra, si do të rënkosh kur të të vijnë mundimet, dhimbjet si të gruas kur lind? Pasha jetën time, kumton Zoti, edhe po të ishte Konjahu, biri i Jehojakimit, mbretit të Judës, unazë vule në dorën time të djathtë, do të të kisha shqitur që andej. Do të të lë në dorë të atyre që kërkojnë të të marrin shpirtin, në dorë të atyre që ua ke frikën, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e në dorë të kaldenjve. Do të të flak ty e nënën që të lindi në një tjetër dhe, ku nuk pate lindur, por ku do të vdesësh. Ndërsa në tokën ku ua do shpirti të kthehen, atje nuk do të kthehen. A poç i përçmuar e i thërrmuar është ky njeri, Konjahu? Enë që askush s'e dëshiron? Pse janë flakur ai e fara e tij, e janë degdisur, në një tokë që nuk e njohin? O tokë, o tokë, o tokë, dëgjoje fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: shënojeni këtë njeri si shterpë, burrë që nuk ia ka dalë në jetë, se nuk do të dalë prej farës së tij një burrë që të ulet në fronin e Davidit e të sundojë përsëri në Judë». «Mjerë barinjtë që e rrënojnë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime, thotë Zoti. Prandaj, thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullotin popullin tim: ju i keni shpërndarë delet e mia, i keni dëbuar e nuk i keni përfillur. Ja, unë do t'ju ndëshkoj për ligësinë e veprave tuaja, kumton Zoti. Unë vetë do ta mbledh tepricën e grigjës sime prej të gjitha vendeve ku i pata dëbuar, do t'i kthej te kullotat e tyre dhe do të shtohen e do të shumohen. Do të vë mbi ta barinj që do të sillen si barinj e nuk do të kenë më frikë, nuk do të tmerrohen e nuk do të firojnë, thotë Zoti. Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do të lartësoj një pinjoll të drejtë për Davidin. Ai do të mbretërojë si mbret e do të veprojë me mençuri, do të vendosë të drejtën e drejtësinë mbi dhe. Gjatë ditëve të tij do të shpëtojë Juda dhe Izraeli do të banojë i sigurt. Ky është emri me të cilin do ta thërrasin: “ Zoti është drejtësia jonë”. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur nuk do të thonë më: “Pasha Zotin, që e nxori popullin e Izraelit nga dheu i Egjiptit”, por: “Pasha Zotin që i nxori dhe i solli pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga dheu i veriut e nga të gjitha vendet ku i kishte dëbuar!”. Atëherë ata do të banojnë në dheun e vet». Për profetët. Zemra në kraharor po më thyhet, më dridhen të gjitha kockat, jam si i dehur, si i dalldisur nga vera, për shkak të Zotit e për shkak të fjalëve të tij të shenjta. «Mbushur është toka me besëshkalë, mban zi toka për shkak të mallkimit e kullotat e shkretëtirës u thanë. Hovi i tyre është i lig e fuqia e tyre nuk është e drejtë. Edhe profeti, edhe prifti janë zvetënuar, edhe në shtëpinë time gjeta ligësi, kumton Zoti. Prandaj, udha e tyre do të jetë si dheu i rrëshqitshëm në errësirë, do të shtyhen e do të rrëzohen në të, se do të sjell mbi ta zezonën në vitin e ndëshkimit të tyre, kumton Zoti. Ndër profetët e Samarisë pashë përçartje: profetizonin në emër të Baalit dhe e përhumbnin popullin tim, Izraelin. Por ndër profetët e Jerusalemit pashë përçudnime: shkelin kurorën e jetojnë në mashtrim, ua stërvitin duart keqbërësve, që të mos kthehet askush nga ligësia e vet. Për mua janë të gjithë si Sodoma e banorët e tyre si Gomorra». Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: «Ja, do t'u jap të hanë pelin e do t'u jap të pinë helm, se prej profetëve të Jerusalemit shthurja u përhap në mbarë vendin». Kështu thotë Zoti i ushtrive: «Mos i dëgjoni fjalët e këtyre profetëve që profetizojnë për ju duke ju gënjyer. Shpallin vegimet e mendjes së tyre që nuk vijnë prej gojës së Zotit ». Atyre që e përçmojnë pareshtur fjalën e Zotit u thonë: «Do t'ju prijë e mbara». Të gjithë atyre që jetojnë me zemërngurtësi u thonë: «Nuk do t'ju zërë e keqja». Por, kush mori pjesë në këshillin e Zotit, që ta shihte e ta dëgjonte fjalën e tij? Kush e përfilli fjalën e tij dhe e dëgjoi? Ja stuhia e Zotit, shpërtheu furia e tij, stuhi vorbullore, mbi kokën e të paudhëve do të shtillet. Zemërimi i Zotit nuk do të tërhiqet deri kur t'i kryejë e t'i sosë synimet e zemrës së tij. Kur të marrin fund ditët do ta kuptoni e do t'ju mbushet mendja. «Nuk i dërgova unë ata profetë, por u turrën vetë. Nuk u fola unë, por profetizuan vetë. Po të kishin marrë pjesë në këshillin tim, do t'i shpallnin popullit tim fjalët e mia, do t'i kthenin prej udhëve të tyre të liga e prej veprave të tyre të liga». «A jam unë Perëndi i afërt e jo Perëndi i largët, kumton Zoti? Nëse dikush fshihet në një vend të fshehtë, a nuk e shoh unë, kumton Zoti? A nuk i mbush unë qiellin e tokën, kumton Zoti? Kam dëgjuar çfarë thonë profetët, që profetizojnë në rrenë në emrin tim, e thonë: “Pashë ëndërr, pashë ëndërr”. Deri kur do ta kenë për zemër profetët të profetizojnë në rrenë, profetët me zemër mashtruese? Ata mendojnë se populli im do ta harrojë emrin tim për shkak të ëndrrave të tyre, që ia tregojnë njëri-tjetrit, siç e harruan etërit e tyre emrin tim për shkak të Baalit. Profeti që ka parë ëndërr, ta tregojë ëndrrën e vet, por kush është me fjalën time, ta flasë fjalën me besnikëri. Ç'kanë të përbashkët byku me drithin, kumton Zoti? A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti, e si çekani që thërrmon shkëmbin? Prandaj, ja ku jam, kumton Zoti, kundër profetëve që i vjedhin njëri-tjetrit fjalët e mia. Ja ku jam, kumton Zoti, kundër profetëve që i japin gjuhës e kumtojnë kumte. Ja ku jam, kumton Zoti, kundër profetëve të ëndrrave të rreme që tregojnë dhe e përhumbin popullin tim me gënjeshtrat e me mburrjet e tyre. Unë nuk i kam dërguar e nuk i kam urdhëruar, prandaj nuk i vyejnë asgjë këtij populli, kumton Zoti. Kur të të pyesë ky popull, apo ndonjë profet, apo ndonjë prift: “Cila është barra e Zotit?”, ti përgjigju: “Ju jeni barra, e unë do t'ju flak”, kumton Zoti. Ndërsa profetin apo priftin, apo popullin, që do të thotë: “Barra e Zotit ”, do ta ndëshkoj atë njeri bashkë me shtëpinë e tij. Kështu do t'i thotë secili të afërtit dhe vëllait të vet: “Si u përgjigj Zoti?”, apo: “Çfarë tha Zoti?”. Por, mos e përmendni më “barrën e Zotit ”, sepse barrë do të jetë fjala e secilit. Ju e tjetërsoni fjalën e Perëndisë së gjallë, Zotit të ushtrive, Perëndisë sonë. Kështu thuaji profetit: “Çfarë përgjigje të dha Zoti? Çfarë tha Zoti?”. Por, nëse thoni: “Barra e Zotit ”, kështu thotë Zoti: meqë i thatë këto fjalë: “Barra e Zotit ”, pasi ju kisha bërë me dije se nuk duhej të thoshit: “Barra e Zotit ”, prandaj, ja, do t'ju ngre e do t'ju flak nga prania ime ju dhe qytetin që u kisha dhënë etërve tuaj. Do t'ju mbuloj me tallje të përhershme, me turp të përhershëm, që nuk do të harrohet kurrë». Zoti më tregoi dy shporta me fiq, vendosur kundruall tempullit të Zotit, pasi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kishte shpërngulur nga Jerusalemi Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, princat e Judës, zejtarët e farkëtarët e Jerusalemit, dhe i kishte shpënë në Babiloni. Njëra shportë ishte me fiq shumë të mirë, siç janë fiqtë e parë, ndërsa shporta tjetër ishte plot me fiq të këqij, aq të këqij sa nuk haheshin dot. Zoti më tha: «Çfarë sheh, Jeremi?». U përgjigja: «Fiq. Fiqtë e mirë janë shumë të mirë e fiqtë e këqij, shumë të këqij. Aq të këqij, sa nuk hahen dot». Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua e tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: sikurse këta fiq të mirë, ashtu do t'i vështroj me mirësi të shpërngulurit e Judës që i dërgova nga ky vend në vendin e kaldenjve. Do t'i ngul sytë e mi mbi ta për të mirën e tyre e do t'i kthej te kjo tokë. Do t'i ndërtoj e nuk do t'i shemb, do t'i mbjell e nuk do t'i shkul. Do t'u jap një zemër që të më njohin, se unë jam Zoti. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë me gjithë zemër. Por, sikurse me këta fiq të këqij, aq të këqij sa nuk hahen dot, kështu thotë Zoti, njësoj do të sillem me Sedekinë, mbretin e Judës, me princat e tij, me tepricën e Jerusalemit, që do të mbetet në vend dhe me ata që banojnë në dheun e Egjiptit. Do t'i bëj tmerr e kob për të gjitha mbretëritë e tokës, përçmim e përrallë, tallje e mallkim në të gjitha vendet ku do t'i dëboj. Do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë e murtajën, derisa t'i shuaj nga dheu që u dhashë atyre dhe etërve të tyre». Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë për të gjithë popullin e Judës në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, në vitin e parë të mbretërimit të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe që profeti Jeremi ia shpalli mbarë popullit të Judës dhe të gjithë banorëve të Jerusalemit, duke thënë: «Që nga viti i trembëdhjetë i Josisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, deri më sot, për njëzet e tre vjet, fjala e Zotit më është drejtuar dhe unë ju kam folur pa u lodhur, por nuk më keni dëgjuar. Madje, Zoti ju ka dërguar pareshtur të gjithë profetët, shërbëtorët e tij, por ju nuk keni dëgjuar e nuk u keni vënë vesh për t'i dëgjuar kur thoshin: “Të kthehet secili nga udha e mbrapshtë e nga veprat e veta të mbrapshta, që të mund të banoni në dheun që ua dha Zoti juve dhe etërve tuaj qëmoti e përgjithmonë. Mos shkoni pas perëndive të tjerë, për t'u shërbyer e për t'i adhuruar, mos më zemëroni me veprën e duarve tuaja, që mos t'ju bëj keq”. Por ju nuk më keni dëgjuar, kumton Zoti, prandaj më zemëruat me veprën e duarve tuaja, për të keqen tuaj». Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive: «Meqë nuk i dëgjuat fjalët e mia, ja, do të dërgoj njerëz të marrin të gjitha fiset e veriut, kumton Zoti, dhe Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, e do t'i sjell kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij e kundër të gjitha kombeve përreth. Do t'i shfaros, do t'i kthej në mbeturinë, tallje e rrënim përgjithmonë. Do ta shuaj prej tyre tingullin e haresë e britmën e gëzimit, zërin e dhëndrit e zërin e nuses, zhurmën e mokrës dhe dritën e kandilit. Gjithë ky vend do të kthehet në shkretëtirë e djerrinë e këta kombe do t'i shërbejnë mbretit të Babilonisë për shtatëdhjetë vjet. Pasi të mbushen shtatëdhjetë vjet, do ta ndëshkoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, kumton Zoti, për fajin e tyre, dhe tokën e tyre do ta shkretoj përgjithmonë. Do të dërgoj në atë tokë të gjitha gjërat që thashë kundër saj, gjithçka shkruhet në këtë libër, që Jeremia profetizoi kundër të gjitha kombeve. Shumë kombe e mbretër të fuqishëm do të marrin skllevër edhe prej tyre, por unë do t'ua kthej sipas bëmave të veta e sipas veprave të duarve të veta». Kështu më tha Zoti, Perëndia i Izraelit: «Merre prej duarve të mia këtë kupë vere të zemërimit dhe jepua të pinë të gjitha kombeve ku po të dërgoj. Ta pinë, të kalamenden e të trullosen, për shkak të shpatës që do të çoj ndër ta». E mora kupën nga dora e Zotit e ua dhashë ta pinin të gjitha kombeve te të cilat Zoti më kishte dërguar: Jerusalemit e qyteteve të Judës, mbretërve e princave, për t'i zhytur në shkretim e në rrënim, në tallje e në mallkim, si sot; edhe faraonit, mbretit të Egjiptit, shërbëtorëve të tij, princave e mbarë popullit të tij; edhe të gjitha fiseve të huaja e të gjithë mbretërve të tokës së Ucit, të gjithë mbretërve të tokës së filistinëve, Ashkelonit, Gazës, Ekronit e tepricës së Ashdodit, Edomit, Moabit, amonitëve, të gjithë mbretërve të Tirit, të gjithë mbretërve të Sidonit, mbretërve të bregut përtej detit, Dedanit, Temait, Buzit dhe të gjithë atyre që qethin tëmthat; të gjithë mbretërve të Arabisë, që banojnë në shkretëtirë; të gjithë mbretërve të Zimriut, të gjithë mbretërve të Elamit e të gjithë mbretërve të Medës; të gjithë mbretërve të veriut, atyre që janë afër e larg, njërit pas tjetrit dhe të gjithë mbretërive që gjenden mbi dhe. Ndërsa mbreti i Sheshakut do të pijë pas tyre. Ti thuaju: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: pini, dehuni e villni, rrëzohuni e mos u çoni për shkak të shpatës që po çoj mes jush». Nëse nuk e marrin kupën nga dora jote për të pirë, thuaju: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: për të pirë do të pini, se, ja, po filloj ta kryej të keqen në qytetin që mban emrin tim, e ju do të shpëtuakeni pa u ndëshkuar? Nuk do t'i shpëtoni ndëshkimit, se unë i kam bërë thirrje shpatës kundër të gjithë banorëve të tokës, kumton Zoti i ushtrive». Ti do t'u profetizosh të gjitha këto fjalë e do t'u thuash: « Zoti prej së larti buçet, nga banesa e tij e shenjtë lëshon zë, buçet kundër lëndinave të tij, ushton porsi ata që shtypin rrush kundër të gjithë banorëve të tokës. Mbërriti gumëzhima gjer në skaj të dheut, se Zoti ngre padi kundër kombeve, ai nxjerr në gjyq çdo njeri, të paudhët ia fal shpatës, kumton Zoti ». Kështu thotë Zoti i ushtrive: «Ja, kobi po shtrihet nga kombi në komb e stuhia po ngrihet nga fundi i dheut. Të therurit e Zotit do të gjenden atë ditë nga njëri skaj i tokës te tjetri. Nuk do të vajtohen as do të varrosen, por do të mbeten si pleh përmbi dhe. Çirruni, o barinj, e bërtitni, rrotullohuni në pluhur, o pronarët e grigjës, se ditët e therorisë e të flakjes suaj mbërritën e ju do të bini si enë e çmuar. Barinjtë do të mbeten pa strehim e pa rrugëdalje pronarët e grigjës. Një zë! Gjëma e barinjve, britma e pronarëve të grigjës, se po e shkatërron Zoti kullotën e tyre. U shkatërruan lëndinat e qeta, për shkak të zemërimit të Zotit. Si luani e braktisi strofullin e tij, ndaj toka u bë shkretim prej furisë shtypëse, prej zemërimit të tij përvëlues». Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, Jeremisë iu drejtua kjo fjalë e Zotit e i tha: «Kështu thotë Zoti: qëndro në tremen e tempullit të Zotit e thuaju të gjitha qyteteve të Judës, që vijnë për të adhuruar në tempullin e Zotit, të gjitha fjalët që të urdhëroj t'u thuash dhe mos hiq asnjë fjalë. Ndoshta do të dëgjojnë dhe secili kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë. Edhe unë do të pendohem për të keqen që kisha menduar të bëja kundër tyre, për shkak të veprave të tyre të liga. Ti thuaju: “Kështu thotë Zoti: nëse nuk më dëgjoni e nuk ecni sipas ligjit tim, që e kam vënë para jush, e nuk i dëgjoni fjalët e profetëve, shërbëtorëve të mi, që jua kam dërguar pareshtur, por që ju nuk i keni dëgjuar, do ta bëj këtë tempull si Shilohun e këtë qytet do ta kthej në mallkim për të gjitha kombet e tokës”». Priftërinjtë, profetët e mbarë populli e dëgjuan Jereminë tek thoshte këto fjalë në tempullin e Zotit. Pasi Jeremia mbaroi së thëni gjithçka i kishte urdhëruar Zoti t'i thoshte mbarë popullit, priftërinjtë, profetët e mbarë populli e kapën e i thanë: «Do të vdesësh. Pse profetizove në emër të Zotit e the: “Ky tempull do të bëhet si Shilohu e ky qytet do të mbetet i shkretë e pa banorë”». Dhe mbarë populli u mblodh rreth Jeremisë, në tempullin e Zotit. Kur i dëgjuan këto gjëra, prijësit e Judës u ngjitën nga pallati mbretëror në tempullin e Zotit dhe u ulën te hyrja e Portës së Re të tempullit të Zotit. Atëherë priftërinjtë dhe profetët u thanë prijësve e mbarë popullit: «Ky njeri meriton gjykim me vdekje, sepse profetizoi kundër këtij qyteti, siç e dëgjuat me veshët tuaj». Por Jeremia iu drejtua të gjithë prijësve e mbarë popullit e tha: « Zoti më dërgoi të profetizoj kundër këtij tempulli e këtij qyteti të gjitha fjalët që keni dëgjuar. Prandaj, përmirësoni sjelljet dhe veprimet tuaja, dëgjojeni zërin e Zotit, Perëndisë suaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shpallur kundër jush. Ndërsa unë, ja ku jam në dorën tuaj. Bëni me mua ç't'ju duket e mirë dhe e drejtë, por dijeni mirë se, nëse doni të më vrisni, do të lyheni me gjak të pafajshëm ju e të gjithë banorët e këtij qyteti, se me të vërtetë Zoti më dërgoi te ju që të shpall në veshët tuaj të gjitha këto fjalë». Atëherë prijësit dhe mbarë populli u thanë priftërinjve e profetëve: «Ky njeri nuk meriton të dënohet me vdekje, sepse na foli në emër të Zotit, Perëndisë sonë». Atëherë disa prej pleqve të vendit u ngritën, iu drejtuan mbarë kuvendit të popullit e thanë: «Mikah Morashtiu, që profetizonte në kohën e Ezekisë, mbretit të Judës, i pati thënë mbarë popullit të Judës: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: Sioni do të plugohet si ara, Jerusalemi do të kthehet në gërmadhë e mali i tempullit në rrafshnaltë pyjore”. A e vranë atë Ezekia, mbreti i Judës, dhe mbarë Juda? A nuk e pati frikë Zotin, a nuk kërkoi dashamirësinë e Zotit dhe Zoti u pendua për të keqen që kishte shpallur kundër tyre? Por ne jemi duke përgatitur një kob të madh kundër vetes sonë». Edhe dikush tjetër profetizoi në emër të Zotit, Urjahu, biri i Shemajahut nga Kirjat Jearimi. Ai profetizoi kundër këtij qyteti e kundër kësaj toke me të njëjtat fjalë si të gjitha ato që foli Jeremia. Mbreti Jehojakim, të gjithë luftëtarët e tij dhe të gjithë prijësit i dëgjuan fjalët e tij, por mbreti deshi ta vriste. Atëherë Urjahu e mori vesh, pati frikë, mori arratinë dhe iku në Egjipt. Pastaj mbreti Jehojakim dërgoi njerëz në Egjipt, Elnatanin, birin e Akborit, e të tjerë me të, të cilët e nxorën Urjahun nga Egjipti dhe e sollën te mbreti Jehojakim që e vrau me shpatë dhe ia hodhi kufomën në gropën e njerëzve të zakonshëm. Por Ahikami, biri i Shafanit, e mbrojti Jereminë që të mos e linin në dorë të popullit, për ta vrarë. Në fillim të mbretërimit të Sedekisë, të birit të Josisë, mbretit të Judës, kjo fjalë iu drejtua Jeremisë prej Zotit e i tha: «Kështu më tha Zoti: bëj për vete litarë e zgjedhë e vëri në qafë. Çoi fjalë mbretit të Edomit, mbretit të Moabit, mbretit të amonitëve, mbretit të Tirit e mbretit të Sidonit me anë të lajmëtarëve që kanë ardhur në Jerusalem te Sedekia, mbreti i Judës. Urdhëroji t'u thonë zotërinjve të vet: “Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: kështu thuajuni zotërinjve tuaj: unë i sajova tokën, njeriun dhe bagëtinë, me fuqinë time të madhe e me krahun tim të shtrirë, prandaj ia jap kujt të më duket e drejtë. Tani ia lashë tërë këto toka në dorë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim. Edhe kafshët e fushës ia dhashë atij që t'i shërbejnë. Atij do t'i shërbejnë të gjitha kombet, birit të tij dhe birit të birit të tij, derisa t'i vijë koha edhe vendit të tij, kur edhe atë do ta robërojnë kombe të shumta e mbretër të madhërishëm. Por kombin dhe mbretërinë që nuk do t'i nënshtrohet Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe nuk do t'ia shtrojë qafën zgjedhës së mbretit të Babilonisë, atë komb do ta ndëshkoj me shpatë, me uri e me murtajë, kumton Zoti, derisa t'i shuaj përmes tij. Prandaj, ju mos i dëgjoni profetët tuaj, falltarët, vegimtarët, ëndërrimtarët, magjistarët e shortarët tuaj, që ju thonë të mos i nënshtroheni mbretit të Babilonisë. Ju profetizojnë në rrenë, për t'ju larguar nga toka juaj, që unë t'ju dëboj e të rrënoheni. Por kombin që do t'ia shtrijë qafën zgjedhës së mbretit të Babilonisë e do t'i nënshtrohet, do ta lë në tokën e vet, kumton Zoti, që ta punojë e të banojë në të”. Edhe Sedekisë, mbretit të Judës, i thashë të njëjtat fjalë: “Shtrijani qafën zgjedhës së mbretit të Babilonisë, shërbejini atij e popullit të tij e do të jetoni. Pse doni të vdisni prej shpatës, prej urisë e prej murtajës ti e populli yt, siç ka paralajmëruar Zoti për atë komb që nuk do t'i nënshtrohet mbretit të Babilonisë? Mos i dëgjoni fjalët e profetëve, që ju thonë të mos i nënshtroheni mbretit të Babilonisë, sepse po ju thonë profeci të rreme. Nuk i kam dërguar unë, kumton Zoti, dhe ata profetizojnë në rrenë në emrin tim, prandaj unë do t'ju dëboj e do të rrënoheni ju e profetët që profetizojnë për ju”». Pastaj iu drejtova priftërinjve e mbarë popullit e u thashë: «Kështu thotë Zoti: mos i dëgjoni fjalët e profetëve tuaj, që profetizojnë për ju, e thonë: “Ja, enët e tempullit të Zotit do të kthehen tani, së shpejti, prej Babilonisë”, sepse profetizojnë gënjeshtra për ju. Mos i dëgjoni. Nënshtrojuni mbretit të Babilonisë e do të jetoni. Pse të shkretohet ky qytet? Nëse ata janë profetë e nëse fjala e Zotit është me ta, le t'i luten Zotit të ushtrive që enët e mbetura në tempullin e Zotit dhe në pallatin e mbretit të Judës e të Jerusalemit të mos shkojnë në Babiloni. Se kështu thotë Zoti i ushtrive në lidhje me shtyllat, me detin, me mbajtëset e me enët e tjera të mbetura në këtë qytet, e që Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, nuk i mori kur shpërnguli nga Jerusalemi në Babiloni Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, dhe tërë fisnikët e Judës e të Jerusalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, në lidhje me enët e mbetura në tempullin e Zotit, në pallatin e mbretit të Judës dhe në Jerusalem: do të barten në Babiloni e atje do të mbesin deri kur t'i kërkoj, kumton Zoti. Pastaj do t'i sjell e do t'i kthej në këtë vend». Në po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekisë, mbretit të Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, më foli Hananiahu, biri i Azurit, profetit të Gibeonit, në tempullin e Zotit, para priftërinjve e mbarë popullit, e më tha: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: do ta thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë. Brenda dy vjetëve unë do t'i kthej në këtë vend të gjitha enët e tempullit të Zotit, që Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i mori nga ky vend dhe i barti në Babiloni. Do të kthej në këtë vend edhe Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, si edhe të gjithë të shpërngulurit nga Juda, që shkuan në Babiloni, kumton Zoti, se unë do ta thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë». Profeti Jeremi iu përgjigj profetit Hananiah para priftërinjve e mbarë popullit që gjendej në tempullin e Zotit. Profeti Jeremi tha: «Amen! Ashtu e bëftë Zoti! I plotësoftë Zoti fjalët që profetizove e i ktheftë nga Babilonia në këtë vend enët e tempullit të Zotit dhe të gjithë të shpërngulurit! Veçse, dëgjoje fjalën që kam për të thënë për veshët tuaj e për veshët e mbarë popullit: profetët, që kanë jetuar para teje e para meje, kaherë kishin profetizuar luftë, uri e murtajë kundër shumë vendeve e mbretërive të mëdha. Prandaj, për profetin që profetizon paqe, vetëm pasi t'i përmbushet fjala do të dihet se është një profet, që me të vërtetë e kishte dërguar Zoti ». Atëherë profeti Hananiah e hoqi zgjedhën prej qafës së profetit Jeremi dhe e theu. Pastaj Hananiahu foli para mbarë popullit e tha: «Kështu thotë Zoti: po kështu do ta thyej nga qafa e të gjitha kombeve zgjedhën e Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, për dy vjet». Mandej profeti Jeremi shkoi udhës së vet. Pasi profeti Hananiah e kishte thyer zgjedhën prej qafës së profetit Jeremi, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: «Shko e thuaji Hananiahut: “Kështu thotë Zoti: ti theve zgjedhën prej druri, por unë do të bëj një tjetër prej hekuri në vend të saj. Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: u kam vënë në qafë të gjitha kombeve një zgjedhë të hekurt, që t'i nënshtrohen Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e t'i shërbejnë. Deri edhe kafshët e fushës ia kam dhënë atij”». Atëherë profeti Jeremi i tha profetit Hananiah: «Dëgjo, Hananiah! Ty nuk të ka dërguar Zoti, por ti e ke shtyrë këtë popull t'i besojë gënjeshtrës, prandaj, kështu thotë Zoti: “Ja, do të të fshij nga faqja e dheut. Këtë vit ti do të vdesësh, sepse ke shpallur kryeneçësi kundër Zotit ”». Në muajin e shtatë të atij viti profeti Hananiah vdiq. Këto janë fjalët e letrës që profeti Jeremi i dërgoi nga Jerusalemi tepricës së pleqve të shpërngulur, priftërinjve, profetëve e mbarë popullit, që Nabukodonosori i kishte shpërngulur nga Jerusalemi në Babiloni, pasi kishin ikur nga Jerusalemi mbreti Jehonjah, nëna mbretëreshë, eunukët, prijësit e Judës e të Jerusalemit, zejtarët e farkëtarët. E dërgoi me anë të Eleasahut, birit të Shafanit, dhe të Gemariahut, birit të Hilkiahut, të cilin Sedekia, mbreti i Judës, e dërgoi në Babiloni, te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Në të thuhej: «Kështu u thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, të gjithë të shpërngulurve, që unë i shpërngula nga Jerusalemi në Babiloni: ndërtoni shtëpi e banoni në to, mbillni kopshte e hani frytet; merrni gra e lindni bij e bija, merrni gra për bijtë tuaj e jepuani burrave bijat tuaja, që të lindin bij e bija. Shumohuni atje e mos fironi. Kërkoni paqen në vendin ku ju kam shpërngulur e lutjuni Zotit për të, sepse prej paqes së tij rrjedh paqja juaj. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: të mos ju mashtrojnë profetët që janë mes jush e as falltarët tuaj. Mos u vini vesh ëndrrave që shohin ata, sepse profetizojnë në rrenë në emrin tim. Ata nuk i kam dërguar unë, kumton Zoti. Prandaj, kështu thotë Zoti: pasi të mbushen plot shtatëdhjetë vjet në Babiloni, do të vij te ju e do ta plotësoj për ju premtimin e mirë për t'ju kthyer në këtë vend. Unë i njoh shestimet e mia për ju, kumton Zoti. Janë shestime paqeje e jo zezone, për t'ju dhënë të ardhme e shpresë. Ju do të më thërrisni, do të vini e do të më luteni e unë do t'ju dëgjoj. Do të më kërkoni e do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemër, prandaj unë do t'ju lejoj të më gjeni, kumton Zoti. Do t'i kthej robërit tuaj dhe do t'ju mbledh nga të gjitha kombet e prej të gjitha vendeve ku ju kam dëbuar, kumton Zoti. Do t'ju kthej në vendin prej nga ju kam shpërngulur. Se ju thoni: “ Zoti ngriti profetë për ne në Babiloni”. Mirëpo kështu thotë Zoti për mbretin, që rri mbi fronin e Davidit e për mbarë popullin, që banon në këtë qytet, për vëllezërit tuaj, që nuk dolën e nuk u shpërngulën me ju: kështu thotë Zoti i ushtrive: ja, do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë e murtajën dhe do t'i bëj si fiqtë e kalbur, që janë aq të prishur, sa nuk mund të hahen. Do t'i ndjek me shpatë, me uri e murtajë. Do t'i bëj tmerrin e të gjithë mbretërive të tokës, mallkim, mbeturinë, tallje e poshtërim ndër të gjitha kombet ku i kam dëbuar, se nuk i dëgjuan fjalët e mia, kumton Zoti, kur u dërgoja pareshtur shërbëtorët e mi, profetët, e ata nuk i dëgjonin, kumton Zoti. Por ju, të gjithë të shpërngulurit, që ju kam dërguar nga Jerusalemi në Babiloni, dëgjojeni fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, në lidhje me Ahabin, birin e Kolajahut, dhe me Sedekinë, birin e Masejahut, që profetizojnë në rrenë për ju në emrin tim: ja, do t'ia lë në dorë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe ai do t'i vrasë para syve tuaj. Do të dalë prej tyre një mallkim për të gjithë të shpërngulurit e Judës në Babiloni, që thotë: “Ta bëftë Zoti si Sedekisë e Ahabit që i poqi në zjarr mbreti i Babilonisë!”. Ata kanë bërë poshtërsi në Jerusalem, kanë kurvëruar me gratë e të afërtve, kanë folur fjalë të rreme në emrin tim, që unë nuk i kisha urdhëruar. Unë vetë e di mirë e jam dëshmitar, kumton Zoti ». Shemajah Nehelamitit do t'i thuash: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ti i ke dërguar letra në emrin tënd të gjithë popullit në Jerusalem, Sofonisë, birit të Masejahut, dhe priftërinjve të tjerë, duke u thënë: Zoti të bëri ty prift në vend të priftit Jehojada, që të ishe përgjegjës në tempullin e Zotit për çdo të marrë që profetizon, duke e vënë nën pranga e nën vargonj. Atëherë pse nuk e qortove Jereminë prej Anatotit që profetizon për ju? Se ai na çoi fjalë në Babiloni e na tha: “Do të shkojë gjatë. Ndërtoni shtëpi e banoni në to, mbillni kopshte e hani frytet e tyre”». Prifti Sofoni e lexoi këtë letër në praninë e profetit Jeremi dhe fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë: «Çoju fjalë të gjithë të shpërngulurve e thuaju: “Kështu thotë Zoti për Shemajah Nehelamitin: Shemajahu ka profetizuar për ju pa e dërguar unë e ju ka bërë t'i besoni gënjeshtrës. Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, do ta ndëshkoj Shemajah Nehelamitin dhe pasardhësit e tij. Askush prej të tijve nuk do të banojë mes këtij populli, as do ta shohë të mirën, që unë do t'i bëj popullit tim, kumton Zoti, sepse shpalli kryeneçësi kundër Zotit ”». Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Shkruaji në një libër të gjitha fjalët që të thashë, se, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do t'i kthej të shpërngulurit e popullit tim, Izraelit, e të Judës, kumton Zoti. Do t'i kthej në tokën që u pata dhënë etërve të tyre dhe ata do ta marrin në pronësi”. Këto janë fjalët që foli Zoti për Izraelin e për Judën: kështu thotë Zoti: po dëgjojmë një britmë të tmerrshme frike e jo paqësimi. Pyesni e shikoni, a pjell mashkulli? Pse, pra, i shikoj të gjithë burrat me duar në ijë, si gruaja që pret të lindë? Pse u zbehën të gjitha fytyrat? Ah, madhështore është ajo ditë, nuk ka si ajo! Është kohë ngushtice për Jakobin, por ai do të shpëtohet prej saj. Në atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do ta thyej zgjedhën e tij prej qafës suaj e do t'i shpërthej vargonjtë tuaj. Të huajt nuk do t'i nënshtrojnë më, por do t'i shërbejnë Zotit, Perëndisë së tyre, dhe Davidit, mbretit të tyre, që unë do ta caktoj për ta. Por ti mos u tremb, shërbëtori im, Jakob, kumton Zoti, mos u frikëso, o Izrael, se do të të çliroj ty prej së largu dhe pasardhësit e tu nga toka e robërisë. Do të kthehet Jakobi e do të pushojë, do të jetë i qetë e askush s'do ta trembë, sepse jam me ty, për të të shpëtuar. Do t'i shuaj fare të gjitha kombet ndër të cilat të kam shpërndarë, por ty nuk do të të shuaj fare. Do të të qortoj me drejtësi, e nuk do të të lë pa ndëshkim. Se kështu thotë Zoti: dhimbja jote është e pashërueshme, plaga jote, e rëndë. Nuk ka kush e mbron çështjen tënde, as bar për mjekimin tënd nuk ka, as shërim për ty. Të gjithë dashnorët të kanë harruar e më nuk të kërkojnë, se të kam goditur siç godet armiku, me qortim mizor, për fajin tënd të rëndë, për mëkatet tuaja të shumta. Pse bërtet për plagën tënde? E pashërueshme është dhimbja jote. Për fajin tënd të rëndë, për mëkatet tuaja të shumta t'i bëra këto. Por, ata që të përpijnë, do të përpihen, të gjithë armiqtë e tu do të shkojnë në robëri, plaçkitësit e tu do të plaçkiten, të gjithë ata që të zunë pre, pre do t'i bëj. Do të kujdesem për shëndetin tënd e do ta shëroj plagën tënde, kumton Zoti, se të quajnë e dëbuara, o Sion, ajo që askush s'e kërkon. Kështu thotë Zoti: ja, do t'ia mëkëmb tendat Jakobit, do të kem mëshirë për banesat e tij. Në gërmadhat e tij do të ndërtohet qyteti e pallati në vendbanimin që i takon. Prej tyre do të dalë përlëvdimi dhe tingulli i argëtuesve. Do t'i shumoj e nuk do të pakësohen do t'i nderoj e nuk do të përçmohen. Do të jenë si bijtë e tyre dikur, para meje do të qëndrojë bashkësia e tyre, shtypësit e tyre do t'i ndëshkoj. Do të kenë kryetar njërin prej të vetëve e sundimtari prej tyre do të dalë. Unë do ta afroj te vetja e ai do të më afrohet, se kush do ta linte peng jetën për t'm'u afruar, kumton Zoti. Ju do të jeni populli im e unë do të jem Perëndia juaj. Ja, stuhia e Zotit, furi që shpërthen, stuhi kalimtare, mbi kokën e të paudhëve vorbullon. Nuk do të ndalet zemërimi i flaktë i Zotit, derisa t'i kryejë e t'i sosë synimet e zemrës së tij. Kur të mbarojnë ditët, do ta kuptoni». «Në atë kohë, kumton Zoti, unë do të jem Perëndia i të gjitha fiseve të Izraelit e ata do të jenë populli im. Kështu thotë Zoti: gjeti hir në shkretëtirë populli që i shpëtoi shpatës; Izraeli po shkon drejt prehjes. Prej së largu m'u dëftua Zoti: “Të desha me dashuri të amshuar, prandaj të mbeta besnik. Do të të ngre sërish e ti do të ngrihesh, o virgjëresha e Izraelit. Sërish do të stolisesh me dajre e do t'i prish valles së gaztorëve. Sërish do të mbjellësh vreshta në malet e Samarisë, do të mbjellin mbjellësit e do të begatohen. Se do të vijë dita e vikamës së rojtarëve në malin e Efraimit: ngrihuni, të shkojmë në Sion, te Zoti, Perëndia ynë”. Se kështu thotë Zoti: bëzani me hare për Jakobin, galdoni për kreun e kombeve; shpallni lavdërimin tuaj e thoni: e shpëtoi Zoti popullin e vet, tepricën e Izraelit. Ja, unë po i sjell nga dheu i veriut e po i mbledh nga skajet e dheut. Ndër ta është i verbri e i çali, shtatzëna e lehona: një bashkësi e madhe këtu do të kthehet. Do të vijnë duke u dënesur, por unë do t'i sjell të përdëllyer, do t'u prij drejt rrjedhave të ujit, në një udhë të drejtë ku nuk do të pengohen, se për Izraelin u bëra porsi atë dhe Efraimi është i parëlinduri im». «Dëgjojeni, o kombe, fjalën e Zotit, shpalluani ishujve të largët e thoni: ai që e shpërndau Izraelin, do ta mbledhë, do ta ruajë grigjën e vet porsi bariu». Se e shpagoi Zoti Jakobin, e shpengoi nga dora e më të fortit. Do të vijnë e do të brohorasin në lartësitë e Sionit, shndritur prej mirësisë së Zotit, për grurin, për mushtin e për vajin, për grigjat e për tufat. Si kopsht i ujitur do të jetë shpirti i tyre e më nuk do të lëngojnë. Atëherë do të gëzojnë virgjëreshat me valle, rinia e pleqtë së bashku. Do ta kthej zinë e tyre në hare, do t'i ngushëlloj e do t'i lumturoj, do t'ua heq pikëllimin. Do t'i ngij priftërinjtë me dhjamë, me të mirat e mia do të mbushet populli im, kumton Zoti. Kështu thotë Zoti: një zë u dëgjua në Ramah, rënkim e vajtim i hidhur. Rakela qan fëmijët e saj, ngushëllim për fëmijët e saj nuk do, se nuk janë më. Kështu thotë Zoti: mos nxirr vaj nga zëri yt, as lot nga sytë e tu, se e kanë shpërblimin veprat e tua, kumton Zoti, e ata do të kthehen nga dheu i armikut. Ka shpresë për të ardhmen tënde, kumton Zoti, do të kthehen bijtë e tu në trojet e veta. «Dëgjova Efraimin tek ankohej: “Ti më ndreqe e unë u ndreqa porsi kau i pamësuar. Kthemë ti e unë do të kthehem, se ti je Zoti, Perëndia im. Se pasi u largova, u pendova, pasi ma bëre të ditur, shuplaka kofshën, u turpërova e u përula, se u ngarkova me nëmën e rinisë sime”. A s'është Efraimi bir i dashur për mua? A s'është djali i ëndjeve? Se sa herë flas kundër tij, prapë më vijnë ndër mend kujtimet, prandaj më dridhen zorrët për të, e me përdëllim do ta përdëllej, kumton Zoti. Cakto për vete shenjat, vendos për vete udhërrëfyesit, mbaje në zemër udhën, rrugën në të cilën ke ecur. Kthehu, o virgjëreshë e Izraelit, kthehu te këto qytetet e tua. Deri kur do të jesh e lëkundur, o bijë besëshkalë? Se Zoti krijoi një risi mbi dhe: një femër i sillet rrotull një burri. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të thonë këto fjalë në tokën e Judës dhe në qytetet e saj, pasi t'i kem kthyer të shpërngulurit e tyre: të bekoftë Zoti, o shtëpi e drejtësisë, o mal i shenjtë! Atje do të banojnë së bashku Juda dhe të gjitha qytetet e tij, bujqit e prijësit e tufës. Se do ta mëkoj shpirtin e mekur e do të ngij çdo shpirt të drobitur». Këtu u zgjova e pashë se kisha bërë gjumë të mirë. «Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do ta mbjell shtëpinë e Izraelit e të Judës me farë njerëzish e me farë bagëtish. Atëherë, siç i mbajta sytë hapur mbi ta për t'i zhbirë e për t'i shembur, për t'i rrëzuar, për t'i rrënuar e për t'i dëmtuar, po ashtu do t'i mbaj sytë hapur mbi ta, për të ndërtuar e për të mbjellë, kumton Zoti. Në ato ditë nuk do të thuhet më: “Rrushin e thartë e hëngrën etërit, por dhëmbët iu mpinë bijve”, sepse secili do të vdesë për faj të vet. Do t'i mpihen dhëmbët vetëm atij që ha rrush të thartë». «Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës. Jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, kur i mora për dore, për t'i nxjerrë nga dheu i Egjiptit, besëlidhja ime, që ata e thyen, megjithëse unë isha zotëria i tyre, kumton Zoti. Por, kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit, pas atyre ditëve, kumton Zoti: do ta vendos brenda tyre ligjin tim e do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. Nuk do ta mësojnë më njëri-tjetrin, duke thënë: “Njiheni Zotin ”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli deri te më i madhi prej tyre, kumton Zoti, se do t'ua fal fajin e nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre. Kështu thotë Zoti, që diellin gjatë ditës si dritë e cakton, e gjatë natës, si dritë, hënën e yjet vendos, që trazon detin, e valët e tij ushtojnë dhe emrin e ka Zoti i ushtrive: nëse këto ligje më dalin dore, kumton Zoti, vetëm atëherë do të reshtë Izraeli e nuk do të jetë më para meje komb përgjithmonë. Kështu thotë Zoti: nëse mund të maten qiejt prej së larti e të hulumtohen gjer poshtë themelet e tokës, edhe unë do ta flak mbarë farën e Izraelit për gjithçka bëri, kumton Zoti ». «Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur qyteti do të rindërtohet për Zotin, që nga Kulla e Hananelit deri te Porta e Këndit. Litari matës do të shtrihet përsëri deri te kodra e Garebit e do të sillet drejt Goahut. Gjithë lugina e kufomave dhe e hirit dhe të gjitha rrafshinat deri te përroi Kidron, deri te qoshja e Portës së Kuajve drejt lindjes, do të jenë të shenjta për Zotin. Nuk do të zhbihen, as do të rrafshohen më». Fjala që iu drejtua Jeremisë nga Zoti në vitin e dhjetë të Sedekisë, mbretit të Judës, në vitin e dymbëdhjetë të Nabukodonosorit. Në atë kohë ushtria e mbretit të Babilonisë e kishte rrethuar Jerusalemin dhe profeti Jeremi gjendej i mbyllur në tremen e rojës, në pallatin e mbretit të Judës. E kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, pasi i kishte thënë: «Pse profetizon e thua: “Kështu thotë Zoti: ja, po e lë këtë qytet në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta pushtojë. Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga dora e kaldenjve, por do t'i dorëzohet mbretit të Babilonisë, do të flasë me të ballë për ballë e do ta shohë sy më sy. Ai do ta marrë Sedekinë në Babiloni e Sedekia do të rrijë atje derisa ta takoj unë, kumton Zoti. Edhe po të luftoni kundër kaldenjve, nuk do t'ia dilni”». Jeremia tha: «Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: ja, do të vijë te ti Hanameli, biri i Shalumit, ungjit tënd, për të të thënë: “Bli për vete arën time në Anatot, se të takon ty ta blesh, sipas së drejtës së riblerjes”. Hanameli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në tremen e rojës, sipas fjalës së Zotit, e më tha: “Blije arën time në Anatot, në tokën e Benjaminit, se të takon ty e drejta e pronës dhe e riblerjes. Blije për vete”. Atëherë e mora vesh se ajo kishte qenë fjala e Zotit. Ia bleva Hanamelit, birit të ungjit tim, arën në Anatot dhe i pagova paratë: shtatëmbëdhjetë sikla argjendi. Nënshkrova fletëblerjen, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova argjendin në kandar. Pastaj mora fletëblerjen, të vulosur sipas rregullit e ligjit, dhe një tjetër të pambyllur. Ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, në sytë e Hanamelit, kushëririt tim, në sytë e dëshmitarëve që e kishin nënshkruar fletën e blerjes dhe në sytë e të gjithë judenjve që gjendeshin në tremen e rojës. Pastaj e urdhërova Barukun në sytë e të gjithëve e i thashë: “Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: merri këto fletë, këtë fletëblerje, të vulosurën e të pambyllurën, dhe vëri në një enë balte, që të ruhen për shumë kohë. Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të blihen shtëpi, ara e vreshta në këtë tokë”. Pasi ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit e thashë: “Ah, Zot, Zoti im! Ti bëre qiellin e tokën me fuqinë tënde të madhe e me krah të shtrirë. Asgjë nuk është e vështirë për ty. Ti vepron mirësisht me mijëra vetë, por fajin e etërve ua lë ta shpaguajnë bijve të tyre që i pasojnë. Ti je Perëndia i madh e i fuqishëm, që e ka emrin Zoti i ushtrive, madhështor në këshill e i madhërishëm në vepra, që i mban sytë hapur mbi të gjitha udhët e njerëzve, për t'i dhënë secilit sipas sjelljes së vet, sipas frytit të veprave të veta. Ti bëre shenja e mrekulli në dheun e Egjiptit, në Izrael e në mbarë njerëzinë gjer më sot, prandaj bëre emër për vete gjer më sot. Ti e nxore popullin tënd, Izraelin, nga Egjipti, me shenja e mrekulli, me dorë të fuqishme, me krah të shtrirë e me tmerr të madh. U dhe këtë tokë, siç u ishe betuar etërve të tyre t'ua jepje, tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ata erdhën dhe e morën në pronësi, por nuk e dëgjuan zërin tënd, nuk ecën në ligjin tënd, nuk bënë gjithçka u kishe urdhëruar të bënin, prandaj ua dërgove të gjitha këto mynxyra. Ja, rrethimi i është afruar qytetit për ta pushtuar. Qyteti do t'u dorëzohet kaldenjve, që po e luftojnë me shpatë, me uri e me murtajë. Çfarë kishe thënë po ndodh dhe, ja, ti po e sheh. Por ti, o Zot, Zoti im, më thua: blije arën për vete me para e thuaju dëshmitarëve të dëshmojnë, ndërsa qyteti po u dorëzohet kaldenjve”». Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: «Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo gjallese. A ka ndonjë gjë të vështirë për mua? Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, po ua dorëzoj këtë qytet kaldenjve dhe po ia lë në dorë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e ai do ta pushtojë. Kaldenjtë që po luftojnë kundër këtij qyteti, do të hyjnë, do t'i vënë zjarrin këtij qyteti e do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi pullazet e të cilave iu kushtua temjan Baalit e iu derdhën fli stërpikjeje perëndive të tjerë, për të më zemëruar mua. Se bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës bënë vetëm çfarë është keq në sytë e mi që nga rinia e tyre. Bijtë e Izraelit vetëm më kanë zemëruar me veprën e duarve të tyre, kumton Zoti. Ky qytet u bë shkaku i zemërimit dhe i tërbimit tim, që prej ditës kur e ndërtuan e deri më sot. Unë do ta zhduk nga prania ime, për shkak të gjithë ligësisë së bijve të Izraelit dhe të bijve të Judës, që e bënë për të më zemëruar, ata, mbretërit e tyre, prijësit e tyre, priftërinjtë dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe të gjithë banorët e Jerusalemit. Më kthyen shpinën e jo fytyrën. Unë i mësoja pareshtur, por ata nuk më dëgjuan e nuk e pranuan qortimin. Ata vendosën pështirësitë në tempullin ku thirret emri im, për ta përdhosur. Ndërtuan faltoret e Baalit në vende të larta në luginën e Ben Hinomit, për t'i kushtuar Molekut bijtë e bijat, gjë që unë nuk ua kisha urdhëruar kurrë. Nuk më kishte shkuar ndër mend se do ta kishin bërë këtë pështirësi, për ta shtyrë Judën në mëkat. E tani, për këtë arsye, kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ti thua se iu dorëzua mbretit të Babilonisë me shpatë, me uri e me murtajë: ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i pata degdisur, kur u zemërova, kur u tërbova, kur u hidhërova fort. Do t'i kthej në këtë vend e do t'i lë të banojnë të qetë. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. Do t'u jap një zemër e një udhë, që të më druajnë gjithmonë, për të mirën e tyre dhe të bijve të vet pas tyre. Do të bëj me ta një besëlidhje të amshuar e do t'u bëj mirë pareshtur. Do t'u vë në zemër drojën time, që të mos ikin prej meje. Do të gëzohem duke u bërë mirë e do t'i mbjell me të vërtetë në këtë tokë, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Se kështu thotë Zoti: siç solla mbi këtë popull gjithë këtë mynxyrë të madhe, po ashtu do të dërgoj mbi ta tërë të mirën që po u premtoj. Do të blihen ara në këtë tokë për të cilën ju thoni se është shkretinë, pa njerëz e pa shtazë dhe se ka rënë në dorë të kaldenjve. Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen fletëblerje, do të vulosen e do t'u paraqiten dëshmitarëve në tokën e Benjaminit, në rrethinat e Jerusalemit, në qytetet e Judës, në qytetet kodrinore, në qytetet e Shefelahut e në qytetet e Negevit, se do t'i kthej robërit e tyre, kumton Zoti ». Fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë për të dytën herë, kur ai ishte mbyllur në tremen e rojës, e i tha: «Kështu thotë Zoti, që bëri tokën, Zoti, që i dha trajtë për ta bërë të qëndrueshme dhe që Zot është emri i tij. Thirrmë e unë do të të përgjigjem. Do të të tregoj gjëra të mëdha e të fshehura, për të cilat nuk ke njohuri. Se kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për shtëpitë e këtij qyteti dhe për pallatet e mbretit të Judës, që do të shemben nga rrethimi e nga shpata. Ata po vijnë për të luftuar kundër kaldenjve, për ta mbushur vendin me kufomat e njerëzve, që unë do t'i godas në zemërimin e në tërbimin tim, sepse e kam fshehur fytyrën time nga ky qytet, për shkak të tërë ligësisë së tyre. Ja, unë do t'i sjell shëndet e shërim, do t'i shëroj e do t'u zbuloj begatinë e paqes e të besnikërisë. Do t'i kthej robërit e Judës dhe robërit e Izraelit e do t'i përtërij si dikur. Do t'i pastroj nga të gjitha fajet me të cilat mëkatuan kundër meje dhe do ta fal tërë fajin e mëkatit e të kryeneçësisë së tyre kundër meje. Do të jetë për mua emër gëzimi, lavdi e nderi mes të gjitha kombeve të tokës, që do të dëgjojnë për tërë mirësinë që unë u bëra dhe do të shtangen e do të dridhen për tërë të mirën dhe tërë begatinë që unë po bëj gati për ta. Kështu thotë Zoti: sërish në këtë vend, për të cilin ju thoni se është i shkretuar, pa njerëz e pa shtazë, në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, që janë shkretuar, pa njerëz, pa banorë e pa shtazë, do të dëgjohet tingulli i gëzimit e tingulli i haresë, zëri i dhëndrit e zëri i nuses, zëri i atyre që thonë: “Përlëvdojeni Zotin e ushtrive, se i mirë është Zoti, se mirësia e tij mbetet përgjithmonë”, teksa sjellin fli falënderimi në tempullin e Zotit. Se unë do t'i kthej të robëruarit e tokës siç ishin në fillim, thotë Zoti. Kështu thotë Zoti i ushtrive: në këtë vend të shkretuar, pa njerëz e pa shtazë, dhe në të gjitha qytetet e tij, do të ketë kullota për barinjtë që do të vendojnë grigjën. Në qytetet kodrinore, në qytetet e Shefelahut e në qytetet e Negevit, në tokën e Benjaminit, në rrethinat e Jerusalemit e në qytetet e Judës, grigjat do të kalojnë përsëri në duart e atij që i numëron, thotë Zoti ». «Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do ta përmbush premtimin që i bëra shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës. Në ato ditë e në atë kohë do të qes prej Davidit një pinjoll të drejtë, i cili do të zbatojë të drejtën dhe drejtësinë në vend. Në ato ditë Juda do të shpëtohet, Jerusalemi do të banojë i qetë e do të thirret: Zoti është drejtësia jonë. Se kështu thotë Zoti: Davidit nuk do t'i mungojë një burrë, që të ulet në fronin e shtëpisë së Izraelit. As priftërinjve levitë nuk do t'u mungojë një burrë prej pranisë sime, që të kushtojë fli shkrumbimi, të djegë temjan e drithë e të kushtojë fli çdo ditë». Fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: «Kështu thotë Zoti: nëse mund ta thyeni besëlidhjen time me ditën dhe besëlidhjen time me natën, e të mos vijnë dita e nata në kohën e vet, atëherë mund të thyhet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, e nuk do të ketë një bir që të mbretërojë mbi fronin e tij, sikurse edhe me levitët priftërinj, shërbëtorët e mi. Siç nuk mund të numërohet ushtria e qiellit e nuk mund të matet rëra e detit, kështu do t'i shumoj pasardhësit e Davidit, shërbëtorit tim, dhe levitët, që më shërbejnë». Fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: «A nuk e ke vënë re ç'thotë ky popull? Thonë: “ Zoti i përbuzi dy fiset që kishte zgjedhur”. Kështu e përçmojnë popullin tim, duke mos e parë më si komb. Kështu thotë Zoti: po të mos vlente më besëlidhja ime me ditën e natën, po të mos e kisha caktuar unë ligjësinë e qiellit e të tokës, atëherë do ta përbuzja farën e Jakobit e të Davidit, shërbëtorit tim, e nuk do të zgjidhja prej pasardhësve të tij një sundimtar mbi pasardhësit e Abrahamit, Isakut e Jakobit. Por unë do t'i kthej robërit e tyre e do të kem mëshirë për ta». Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë, kur Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, mbarë ushtria e tij, mbarë mbretëritë e tokës nën sundimin e tij dhe të gjithë popujt po luftonin kundër Jerusalemit e qyteteve të tij: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: shko, fol me Sedekinë, mbretin e Judës, e thuaji: “Kështu thotë Zoti: ja, po ia dorëzoj këtë qytet mbretit të Babilonisë e ai do ta djegë me zjarr. Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të të kapin e do të të dorëzojnë tek ai. Do të shikosh sy më sy mbretin e Babilonisë, do të flasësh me të ballë për ballë e do të shkosh në Babiloni”. Megjithatë, dëgjoje fjalën e Zotit, o Sedeki, mbreti i Judës. Kështu thotë Zoti për ty: ti nuk do të vdesësh prej shpatës. Në paqe do të vdesësh dhe, siç u dogj erë e mirë për etërit tuaj, mbretërit e dikurshëm, që ishin para teje, ashtu do të digjet edhe për ty e do të vajtojnë për ty: ah, Imzot! Se unë kam folur, kumton Zoti ». Profeti Jeremi ia tha Sedekisë, mbretit të Judës, të gjitha këto fjalë në Jerusalem, ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë po luftonte kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qyteteve të Judës, që kishin mbetur, Lakishit e Azekahut, se këto ishin qytetet e vetme të fortifikuara të Judës që kishin mbetur. Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë, pasi mbreti Sedeki kishte bërë një besëlidhje me mbarë popullin që gjendej në Jerusalem, për t'u shpallur lirinë, për të liruar secili skllavin e vet hebre dhe skllaven hebreje dhe për të mos pasur askush ndër ta si skllav vëllanë e vet hebre. Të gjithë prijësit e mbarë populli, që e kishin pranuar besëlidhjen, u bindën ta çlironin secili skllavin e skllaven e vet e të mos i skllavëronin më. U bindën e i lanë të shkonin, por pas kësaj ndërruan mendje e i kthyen skllevërit e skllavet, që kishin liruar, dhe i nënshtruan përsëri si skllevër e si skllave. Atëherë Jeremisë iu drejtua fjala e Zotit e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: unë bëra një besëlidhje me etërit tuaj kur i nxora nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë, e u thashë: “Pas shtatë vjetësh secili duhet ta lërë të shkojë vëllanë e vet hebre që të është shitur ty. Do të të ketë shërbyer gjashtë vjet, pastaj do ta lësh të largohet prej teje i lirë”. Por etërit tuaj nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin. Ju sot u penduat e bëtë çka është e drejtë në sytë e mi, duke i shpallur lirinë secili të afërtit të vet. Bëtë besëlidhje para meje, në tempullin ku thirret emri im, por pastaj ndërruat mendje dhe e përdhosët emrin tim, sepse secili e ktheu skllavin e skllaven e vet, që i kishit lënë të shkonin të lirë sipas dëshirës së tyre, dhe i nënshtruat përsëri e i bëtë skllevër e skllave për vete. Prandaj, kështu thotë Zoti: ju nuk më dëgjuat e nuk i shpallët secili lirinë vëllait të vet e të afërtit të vet. Ja, kumton Zoti, po i shpall lirinë kundrejt jush shpatës, murtajës e urisë. Do t'ju bëj tmerrin e të gjitha mbretërive të tokës. Burrat, që e shkelën besëlidhjen time e nuk i zbatuan fjalët e besëlidhjes që bënë para meje, do t'i bëj si viçin, që e çanë më dysh dhe kaluan mes copave të tij. Prijësit e Judës, prijësit e Jerusalemit, oborrtarët, priftërinjtë dhe mbarë popullin e vendit, që kaluan përmes dy copave të viçit, do t'ua lë në dorë armiqve të vet dhe atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Kufomat e tyre do të bëhen ushqim për zogjtë e qiellit dhe për egërsirat e tokës. Sedekinë, mbretin e Judës, dhe prijësit e tij do t'i lë në dorë të armiqve të vet, të atyre që kërkojnë t'ua marrin shpirtin, dhe në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që është larguar prej jush. Ja, po jap një urdhër, kumton Zoti, dhe do t'i kthej drejt këtij qyteti. Do të luftojnë kundër tij, do ta pushtojnë e do t'i vënë zjarrin. Qytetet e Judës do t'i bëj të shkreta e pa banorë». Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë në kohën e Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, e i tha: «Shko te rekabitët e folu. Futi në tempullin e Zotit, në njërën prej dhomave, e jepu të pinë verë». Atëherë mora Jazanjahun, birin e Jeremisë, të birit të Habacinjahut, vëllezërit e tij dhe të gjithë bijtë e tij. I futa në tempullin e Zotit, në dhomën e bijve të Kanaanit, të birit të Igdaliahut, njeriut të Perëndisë, që gjendet afër dhomës së prijësve, sipër dhomës së Masejahut, të birit të Shalumit, rojtarit të pragut. Pastaj vendosa para bijve të shtëpisë së rekabitëve brokat plot me verë dhe kupat e u thashë: «Pini verë!». Ata u përgjigjën: «Nuk do të pimë verë, sepse Jonadabi, biri i Rekabit, atit tonë, na ka urdhëruar e na ka thënë: “Nuk do të pini verë kurrë as ju, as bijtë tuaj. Nuk do të ndërtoni shtëpi, nuk do të hidhni farë, as do të mbillni vresht, por do të banoni nëpër tenda gjatë gjithë ditëve tuaja, që të jetoni gjatë mbi dheun ku jeni të huaj”. Ne iu bindëm zërit të Jonadabit, birit të Rekabit, atit tonë, për gjithçka na urdhëroi që të mos pinim verë kurrë as ne, as gratë tona, as bijtë tanë, as bijat tona, të mos ndërtonim shtëpi për të banuar në to, të mos kishim as vresht, as arë, as farë, prandaj banuam në tenda, u bindëm dhe bëmë gjithçka na urdhëroi Jonadabi, ati ynë. Kur erdhi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kundër vendit tonë, thamë: “Ejani të hyjmë në Jerusalem e t'i ikim ushtrisë së kaldenjve e ushtrisë së arameasve”. E tani banojmë në Jerusalem». Atëherë Jeremisë iu drejtua fjala e Zotit e i tha: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: shko e thuaji popullit të Judës e banorëve të Jerusalemit: a nuk do ta pranosh qortimin e t'i dëgjosh fjalët e mia? Kumton Zoti. Fjalët që u urdhëroi bijve të vet Jonadabi, biri i Rekabit, që të mos pinin verë, janë zbatuar e ata nuk pinë gjer më sot, se iu bindën urdhrit të atit të tyre. Edhe unë ju fola juve pareshtur, por ju nuk më dëgjuat. Ju dërgova të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, pareshtur jua dërgova, për t'ju thënë: kthehuni, pra, secili prej sjelljes së vet të ligë, ndreqni veprat tuaja, mos ndiqni perënditë e tjerë e mos u shërbeni. Atëherë do të banoni në tokën që ju dhashë juve dhe etërve tuaj. Por ju nuk morët vesh e nuk më dëgjuat. Bijtë e Jonadabit, birit të Rekabit, e dëgjuan urdhrin e atit të tyre, por ky popull nuk më dëgjoi mua. Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do të sjell mbi Judën e mbi të gjithë banorët e Jerusalemit gjithë të ligën që kam lajmëruar kundër tyre, se u kam folur, por nuk më kanë dëgjuar, i kam thirrur, por nuk më janë përgjigjur». Atëherë Jeremia i tha shtëpisë së rekabitëve: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: meqë e dëgjuat urdhrin e Jonadabit, atit tuaj, dhe i mbajtët të gjitha urdhërimet e tij e bëtë gjithçka u pati urdhëruar, prandaj, thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t'i mungojë kurrë dikush që do të qëndrojë para meje». Në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, Jeremisë iu drejtua kjo fjalë e Zotit e i tha: «Merr një rrotull e shkruaj në të të gjitha fjalët që të thashë kundër Izraelit, kundër Judës e kundër të gjitha kombeve, që nga koha e Josisë e deri më sot. Ndoshta njerëzit e shtëpisë së Judës do të dëgjojnë të gjithë zezonën që kam ndër mend të bëj kundër tyre, prandaj do të heqin dorë secili nga sjellja e vet e ligë e unë do t'ua fal fajin e mëkatin». Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi në rrotull çfarë i tha Jeremia, të gjitha fjalët që i kishte thënë Zoti. Atëherë Jeremia urdhëroi Barukun e i tha: «Unë e kam të ndaluar e nuk mund të shkoj në tempullin e Zotit, prandaj shko ti në tempullin e Zotit, në një ditë agjërimi dhe lexo fjalët e Zotit në rrotullën që shkrove siç të thashë unë. Lexoji që t'i dëgjojnë edhe të gjithë judenjtë që do të vijnë prej qyteteve të tyre. Ndoshta përgjërimi i tyre do të mbërrijë para Zotit dhe secili do të heqë dorë prej sjelljeve të veta të liga, sepse i madh është zemërimi e hidhërimi që lajmëroi Zoti kundrejt këtij populli». Baruku, biri i Neriahut, bëri gjithçka i urdhëroi profeti Jeremi për leximin e librit të fjalëve të Zotit në tempullin e Zotit. Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, në muajin e nëntë, u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jerusalemit dhe për të gjithë popullin që kishte ardhur në Jerusalem prej qyteteve të Judës. Baruku lexoi rrotullën, para gjithë popullit, fjalët e Jeremisë, në tempullin e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në tremen e epërme, te hyrja e Portës së Re të shtëpisë së Zotit. Mikea, biri i Gemariahut, të birit të Shafanit, i dëgjoi të gjitha fjalët e Zotit të lexuara nga rrotulla, zbriti nga pallati mbretëror në dhomën e shkruesit dhe, ja, ishin ulur të gjithë prijësit: Elishamai, shkrues; Delajahu, biri i Shemajahut; Elnatani, biri i Akborit; Gemariahu, biri i Shafanit, Sedekia, biri i Hananiahut dhe të gjithë prijësit. Mikea u tregoi të gjitha fjalët që kishte dëgjuar kur Baruku kishte lexuar rrotullën para popullit. Atëherë të gjithë prijësit dërguan Jehudiun, birin e Netanjahut, të birit të Shelemiahut, të birit të Kushit, për t'i thënë Barukut: «Merre në dorë rrotullën që lexove para popullit dhe eja». Atëherë Baruku, biri i Neriahut, mori në dorë rrotullën e shkoi tek ata. I thanë: «Ulu e lexoje para nesh». Baruku e lexoi para tyre. Kur i dëgjuan të gjitha ato fjalë, u kthyen tërë frikë nga njëri-tjetri e i thanë Barukut: «Të gjitha këto fjalë duhet t'ia tregojmë mbretit». Pastaj e pyetën Barukun: «Na trego, pra, si i shkrove të gjitha këto fjalë. Prej gojës së tij?». Baruku u përgjigj: «Ai m'i shpalli të gjitha këto fjalë dhe unë i shkrova me bojë në rrotull». Prijësit i thanë Barukut: «Shko e fshihu ti dhe Jeremia e të mos e marrë vesh njeri ku gjendeni». Ata shkuan te mbreti në treme, pasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe i treguan mbretit gjithçka. Atëherë mbreti dërgoi Jehudiun të merrte rrotullën. Jehudiu e mori nga dhoma e Elishamait, shkruesit, dhe e lexoi para mbretit e para të gjithë prijësve që rrinin më këmbë pranë mbretit. Mbreti rrinte ulur në pjesën dimërore të pallatit dhe kishte përpara mangallin me zjarrin ndezur, se ishte muaji i nëntë. Pasi Jehudiu lexoi tri a katër shtylla, mbreti filloi t'i priste me briskun e shkruesit dhe t'i hidhte në zjarr, në mangall, derisa tërë rrotulla u dogj në zjarrin e mangallit. As mbreti e as prijësit e tij nuk u trembën e nuk i shqyen petkat kur i dëgjuan këto fjalë. Edhe kur Elnatani, Delajahu e Gemariahu iu lutën mbretit të mos e digjte rrotullën, ai nuk i dëgjoi, përkundrazi, urdhëroi Jerahmelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit, dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, t'i kapnin Barukun, shkruesin, dhe profetin Jeremi. Por Zoti i kishte fshehur. Pasi mbreti e dogji rrotullën me fjalët që kishte shkruar Baruku siç kishin dalë nga goja e Jeremisë, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: «Merr prapë një rrotull tjetër e shkruaj në të të gjitha fjalët që ishin në rrotullën e mëparshme, të cilën e dogji Jehojakimi, mbreti i Judës. Shpall kundër Jehojakimit, mbretit të Judës: “Kështu thotë Zoti: ti e dogje atë rrotull duke thënë: ‘Pse ke shkruar se vërtet do të vijë mbreti i Babilonisë, do ta shkatërrojë këtë vend e do të zhbijë njerëz e kafshë?’. Prandaj, kështu thotë Zoti kundër Jehojakimit, mbretit të Judës: nuk do të ketë kush të ulet pas tij në fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet përjashta, në vapën e ditës e në acarin e natës. Unë do ta ndëshkoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij, për shkak të ligësisë së tyre. Mbi ta, mbi banorët e Jerusalemit dhe mbi popullin e Judës do të dërgoj tërë zezonën që lajmërova kundër tyre, por ata nuk më dëgjuan”». Jeremia mori një tjetër rrotull e ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi çfarë doli nga goja e Jeremisë, të gjitha fjalët e rrotullës, që kishte djegur në zjarr Jehojakimi, mbreti i Judës. Atyre fjalëve iu shtuan edhe shumë të tjera si ato. Sedekia, biri i Josisë, u bë mbret në vend të Konjahut, birit të Jehojakimit. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e bëri mbret në tokën e Judës. Megjithatë, as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që kishte shpallur Zoti me anë të profetit Jeremi. Mbreti Sedeki dërgoi te Jeremia Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofoni, birin e Masejahut, për t'i thënë: «Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë». Jeremia hynte e dilte në popull, se nuk e kishin futur ende në burg. Ushtria e faraonit kishte dalë nga Egjipti dhe kaldenjtë, që e kishin rrethuar Jerusalemin, sapo e morën vesh, u larguan nga Jerusalemi. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremi e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Kështu thuaji mbretit të Judës, që të dërgoi tek unë, për të më pyetur, se, ja, ushtria e faraonit, që erdhi për t'ju ndihmuar, po kthehet në Egjipt, në tokën e vet. Atëherë do të kthehen kaldenjtë, do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta pushtojnë e do ta djegin me zjarr”. Kështu thotë Zoti: mos e gënjeni veten duke thënë: “Kaldenjtë do të largohen nga ne”, se ata nuk do të largohen. Se, edhe nëse e shpartalloni mbarë ushtrinë e kaldenjve, që po lufton kundër jush, e nëse mbeten ndër ta vetëm të plagosurit, secili do të ngrihej nga tenda e vet e do t'i vinte zjarrin këtij qyteti». Kur ushtria e kaldenjve u largua nga Jerusalemi, për shkak të ushtrisë së faraonit, Jeremia doli nga Jerusalemi për të shkuar në tokën e Benjaminit, për të marrë pjesën që i takonte mes popullit. Kur ishte te porta e Benjaminit, një përgjegjës i rojtarëve me emrin Irijah, biri i Shelemiahut, të birit të Hahanjahut, e kapi profetin Jeremi e i tha: «Po kalon me kaldenjtë». Jeremia u përgjigj: «Gënjeshtër! Nuk po kaloj me kaldenjtë». Por Irijahu nuk e dëgjoi. E kapi Jereminë dhe e çoi te prijësit. Prijësit ishin të zemëruar me Jereminë. E rrahën dhe e futën në burg, në shtëpinë e shkruesit Jonatan, të cilën e kishin kthyer në burg. Pasi Jeremia kishte hyrë në sternë, në një qeli, dhe kishte ndenjur aty shumë ditë, mbreti Sedeki çoi njerëz për ta marrë dhe mbreti e pyeti fshehurazi, në pallatin e vet: «A ka ndonjë fjalë nga Zoti?». Jeremia u përgjigj: «Ka» dhe tha: «Ti do të biesh në dorë të mbretit të Babilonisë». Pastaj Jeremia i tha mbretit Sedeki: «Çfarë mëkati kam bërë kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu e kundër këtij populli, që më keni futur në burg? E ku janë profetët tuaj që profetizonin për ju e thoshin: “Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush e kundër kësaj toke”? Tani dëgjo, imzot mbret, mbaje parasysh lutjen time. Mos më kthe në shtëpinë e shkruesit Jonatan, që të mos vdes atje». Mbreti Sedeki dha urdhër ta vinin Jereminë në tremen e burgut. I jepnin çdo ditë një kulaç bukë nga Rruga e Furrtarëve, deri kur mbaroi tërë buka në qytet. Kështu, Jeremia mbeti në tremen e burgut. Shefatjahu, biri i Matanit, Gedaliahu, biri i Pashhurit, Jehukali, biri i Shelemiahut, dhe Pashhuri, biri i Malkjahut, i dëgjuan fjalët që i shpalli Jeremia mbarë popullit, duke thënë: «Kështu thotë Zoti: kush qëndron në këtë qytet, do të vdesë prej shpatës, prej urisë e prej murtajës, por kush do të shkojë me kaldenjtë do të jetojë, do të përfitojë si plaçkë lufte shpirtin e vet e do të jetojë. Kështu thotë Zoti: ky qytet vërtet do të bjerë në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë e ai do ta pushtojë». Atëherë prijësit i thanë mbretit: «Le të dënohet me vdekje ky njeri, se ai po ua pret kështu duart luftëtarëve që kanë mbetur në këtë qytet dhe mbarë popullit, duke u thënë fjalë të tilla. Se ky njeri nuk kërkon të mirën e këtij populli, por të keqen». Mbreti Sedeki u përgjigj: «Ja, është në dorën tuaj, se mbreti nuk mund të bëjë asgjë kundër jush». Ata e morën Jereminë dhe e hodhën në sternën e Malkiahut, birit të mbretit, që gjendej në tremen e burgut dhe e zbritën Jereminë me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por baltë dhe Jeremia u zhyt në baltë. Kur dëgjoi Ebedmeleku, kushiti eunuk i pallatit mbretëror, se Jereminë e kishin hedhur në sternë, ndërsa mbreti rrinte ulur te Porta e Benjaminit, Ebedmeleku doli nga pallati mbretëror e i tha mbretit: «Imzot mbret, vepruan me ligësi këta burra me gjithçka i bënë profetit Jeremi, duke e hedhur në sternë. Ai do të vdesë prej urisë, se nuk ka më bukë në qytet». Atëherë mbreti i dha urdhër Ebedmelekut, kushitit, e i tha: «Merr me vete tre burra prej këtu e nxirre profetin Jeremi nga sterna para se të vdesë». Ebedmeleku mori burrat me vete dhe shkoi në pallatin mbretëror, poshtë qilarit, mori që andej disa lecka e zhele e ia hodhi Jeremisë në sternë me litarë. Ebedmeleku, kushiti, i tha Jeremisë: «Lidhi leckat e zhelet poshtë sqetullave, bashkë me litarin». Jeremia veproi ashtu. Atëherë e ngritën Jereminë me litar dhe e nxorën jashtë sternës. Jeremia qëndroi në tremen e rojës. Mbreti Sedeki dërgoi njerëz për ta sjellë Jereminë te hyrja e tretë e tempullit të Zotit. Mbreti i tha Jeremisë: «Unë po të pyes për diçka, mos më fshih asgjë». Jeremia iu përgjigj Sedekisë: «Nëse të tregoj, a nuk do të më vrasësh? Edhe nëse të jap këshillë, nuk do të më dëgjosh». Atëherë mbreti Sedeki iu betua tinëz Jeremisë: «Pasha Zotin, që na dha këtë jetë, nuk do të të vras, as do të të lë në dorë të këtyre njerëzve që po kërkojnë të të marrin shpirtin». Atëherë Jeremia i tha Sedekisë: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: nëse u dorëzohesh prijësve të mbretit të Babilonisë, do ta shpëtosh jetën dhe ky qytet nuk do të digjet me zjarr. Do të jetosh ti dhe shtëpia jote. Por nëse nuk dorëzohesh te prijësit e mbretit të Babilonisë, atëherë ky qytet do të bjerë në dorë të kaldenjve. Ata do ta djegin me zjarr e ti nuk do t'u shpëtosh nga duart». Mbreti Sedeki iu përgjigj Jeremisë: «Unë kam frikë nga judenjtë që janë dorëzuar te kaldenjtë, se mos bie në dorë të tyre e sillen keq me mua». Por Jeremia i tha: «Nuk do të të dorëzojnë. Dëgjoje zërin e Zotit për çfarë po të them dhe gjithçka do të shkojë mbarë e do ta shpëtosh jetën. Por nëse nuk pranon të dorëzohesh, kjo është fjala që më dëftoi Zoti: ja, të gjitha gratë që mbetën në pallatin mbretëror të Judës do t'u dorëzohen prijësve të mbretit të Babilonisë e do të thonë: të mashtruan e të mundën njerëzit me të cilët ishe i sigurt. Kur këmbët të ngecën në baltë ata ta kthyen shpinën. Të gjitha gratë e bijtë tuaj do t'u dorëzohen kaldenjve, por as ti nuk do të shpëtosh prej dorës së tyre. Do të kapesh prej dorës së mbretit të Babilonisë dhe ky qytet do të digjet me zjarr». Sedekia i tha Jeremisë: «Askush të mos i marrë vesh këto fjalë, që të mos vdesësh. E nëse prijësit dëgjojnë se kam folur me ty dhe vijnë te ti e të thonë: “Na trego çfarë i the mbretit e çfarë të tha mbreti, mos na fshih asgjë, që të mos vdesësh”, ti do t'u thuash: “Iu përgjërova mbretit, që të mos më kthente në shtëpinë e Jonatanit e të vdisja atje”». Atëherë të gjithë prijësit erdhën te Jeremia dhe e pyetën. Ai u përgjigj siç e kishte urdhëruar mbreti, prandaj ata nuk folën më me të, se nuk u përhap asnjë fjalë. Jeremia mbeti në tremen e burgut deri kur u mor Jerusalemi. Dhe Jerusalemi u mor. Në muajin e dhjetë të vitit të nëntë të Sedekisë, mbretit të Judës, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, mbërriti në Jerusalem me tërë ushtrinë e vet dhe e pushtoi. Në vitin e njëmbëdhjetë të Sedekisë, në muajin e katërt, në ditën e nëntë të muajit, u hap një e çarë në qytet dhe hynë të gjithë prijësit e mbretit të Babilonisë e zunë vend në portën e mesme: Nergal Sareceri, Samgar Nebu Sarsekimi nga Rab Sarisi, Nergal Sareceri nga Rab Magu dhe të gjithë prijësit e tjerë të mbretit të Babilonisë. Kur i panë, Sedekia, mbreti i Judës dhe të gjithë luftëtarët, morën arratinë dhe dolën nga qyteti natën, rrugës së kopshtit të mbretit, nëpër portën mes dy mureve. Morën udhën e Arabasë, por ushtria e kaldenjve i ndoqi. E zunë Sedekinë në stepat e Jerikosë, e kapën dhe e sollën në Riblah, në dheun e Hamatit, te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i cili shpalli vendimin. Mbreti i Babilonisë i theri bijtë e Sedekisë në Riblah, para syve të tij. Mbreti i Babilonisë theri edhe të gjithë fisnikët e Judës. Pastaj ia nxori sytë Sedekisë dhe e lidhi me vargonj, për ta çuar në Babiloni. Kaldenjtë dogjën pallatin mbretëror dhe shtëpitë e popullit, ndërsa muret e Jerusalemit i shembën. Nebuzaradani, kryerojtari, shpërnguli në Babiloni pjesën tjetër të popullit, ata që kishin mbetur në qytet, dhe të dorëzuarit që i kishin rënë në dorë. Nebuzaradani, kryerojtari, la në dheun e Judës skamnorët, që nuk zotëronin asgjë, dhe u dha, në atë kohë, vreshta e ara. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i kishte dhënë këtë urdhër për Jereminë Nebuzaradanit, kryerojtarit: «Merre, mbaje nën kujdes e mos i bëj asnjë të keqe, por sillu me të siç të thotë ai vetë». Atëherë Nebuzaradani, kryerojtari, Nebushazbani nga Rab Sari, Nergal Sareceri nga Rab Magu dhe të gjithë krerët e mbretit të Babilonisë dërguan njerëz për ta marrë Jereminë nga tremja e burgut dhe ia lanë Gedaliahut, birit të Ahikamit, të birit të Shafanit, që ta merrte në shtëpi. Kështu, ai jetoi mes popullit. Jeremisë i ishte drejtuar fjala e Zotit, kur kishte qenë ende në tremen e burgut: «Shko e thuaji Ebedmelekut, kushitit, se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do t'i përmbush për keq e jo për mirë fjalët e mia kundër këtij qyteti dhe do të ndodhin para teje atë ditë. Por unë do të të liroj atë ditë, kumton Zoti, e nuk do t'u biesh në dorë njerëzve prej të cilëve ke frikë, se unë do të të shpëtoj. Nuk do të biesh prej shpatës, por do të përfitosh shpirtin si plaçkë, sepse besove në mua, kumton Zoti ». Fjala që iu drejtua Jeremisë prej Zotit, pasi Nebuzaradani, kryerojtari, e la të largohej nga Ramahu, kur e mori të lidhur në vargonj bashkë me të gjithë të shpërngulurit e Jerusalemit e të Judës që po shpërnguleshin në Babiloni. Kryerojtari e mori Jereminë e i tha: « Zoti, Perëndia yt, e kishte lajmëruar këtë zezonë për këtë vend. Zoti e solli dhe kreu çfarë kishte lajmëruar, se ju mëkatuat kundër Zotit dhe nuk e dëgjuat zërin e tij, prandaj ju ndodhi kjo gjë. E tani, ja, sot po të liroj prej këtyre vargonjve që ke në dorë. Nëse të duket gjë e mirë të vish me mua në Babiloni, eja e unë do të kujdesem për ty. Por nëse të duket gjë e keqe të vish me mua në Babiloni, ndalu. Shiko, tërë vendi është para teje. Kudo të të duket mirë dhe e drejtë të shkosh, atje shko». E meqë nuk po kthehej ende, i tha: «Kthehu te Gedaliahu, biri i Ahikamit, të birit të Shafanit, të cilin mbreti i Babilonisë e caktoi mbi qytetet e Judës, dhe rri atje me të mes popullit, ose shko kudo të duket e drejtë të shkosh». Pastaj kryerojtari i dha ushqime e një dhuratë dhe e la të shkonte. Atëherë Jeremia shkoi te Gedaliahu, biri i Ahikamit, në Micpah, e jetoi me të mes popullit që kishte mbetur në vend. Të gjithë prijësit e ushtrive, që gjendeshin arave bashkë me ushtarët, dëgjuan se mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun, birin e Ahikamit, përgjegjës të vendit dhe i kishte besuar burrat, gratë, të miturit e skamnorët e vendit, që nuk ishin shpërngulur në Babiloni. Atëherë shkuan te Gedaliahu, në Micpah, Ishmaeli, biri i Netanjahut, Johanani, biri i Kareahut, Serajahu, biri i Tanhumetit, bijtë e Efahut, netofatitit, Jezanjahu, biri i Makatitit, ata vetë dhe njerëzit e tyre. Gedaliahu, biri i Ahikamit, të birit të Shafanit, iu betua atyre dhe ushtarëve të tyre e tha: «Mos kini frikë prej shërbëtorëve të kaldenjve. Qëndroni në vend, shërbejini mbretit të Babilonisë e do t'ju shkojë mbarë. Ndërsa unë, ja, do të banoj në Micpah, për t'ju përfaqësuar para kaldenjve që do të vijnë te ne. Megjithatë, ju mblidheni verën, frytet e stinës dhe vajin. Vërini në enët tuaja e banoni në qytetet që keni pushtuar». Edhe të gjithë judenjtë, që gjendeshin në Moab, mes amonitëve, në Edom e në të gjitha vendet e tjera, dëgjuan se mbreti i Babilonisë e kishte lënë një pjesë të popullit të Judës dhe kishte caktuar përgjegjës të tyre Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit. Të gjithë judenjtë u kthyen prej të gjitha vendeve ku ishin shpërndarë dhe erdhën në dheun e Judës, në Micpah, te Gedaliahu. Ata mblidhnin verën dhe frytet e stinës me begati të madhe. Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë prijësit e ushtrive të veta, që gjendeshin nëpër ara, erdhën te Gedaliahu në Micpah e i thanë: «A e di se Baalisi, mbreti i amonitëve, ka dërguar Ishmaelin, birin e Netanjahut, për të të vrarë?». Por Gedaliahu, biri i Ahikamit, nuk u besoi. Atëherë Johanani, biri i Kareahut, i tha fshehurazi Gedaliahut, në Micpah: «Më lër të shkoj e ta vras Ishmaelin, birin e Netanjahut, e nuk do ta marrë vesh askush. Pse duhet të të vrasë ai e të shpërndahen të gjithë judenjtë e mbledhur rreth teje e të marrë fund pjesa tjetër e popullit të Judës?». Por Gedaliahu, biri i Ahikamit, iu përgjigj Johananit, të birit të Kareahut: «Mos e bëj këtë gjë, sepse po thua gjëra të pavërteta për Ishmaelin». Në muajin e shtatë, Ishmaeli, biri i Netanjahut, të birit të Elishamait, me gjak mbretëror, shkoi me dhjetë burra te Gedaliahu, biri i Ahikamit, në Micpah. Ndërsa po hanin bukë bashkë, atje në Micpah, Ishmaeli, biri i Netanjahut, dhe dhjetë burrat që ishin me të, u ngritën dhe e therën me shpatë Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit, dhe vranë atë që mbreti i Babilonisë kishte caktuar në atë vend. Ishmaeli vrau edhe të gjithë judenjtë që ishin me Gedaliahun në Micpah, si edhe ushtarët kaldenj, që u gjendën aty. Dy ditë pas vrasjes së Gedaliahut, kur askush nuk dinte gjë, tetëdhjetë njerëz erdhën nga Shekemi, Shilohu e Samaria me mjekrat të rruara, me petkat të shqyera e me trupat të gërvishtur. Ata mbanin në duar kushtime e temjan, për t'i sjellë në tempullin e Zotit. Ishmaeli, biri i Netanjahut, doli nga Micpahu për t'i pritur duke qarë. Pasi i takoi, u tha: «Ejani te Gedaliahu, biri i Ahikamit». Por, kur mbërritën në mes të qytetit, Ishmaeli, biri i Netanjahut, ai vetë dhe burrat që ishin me të, i vrau dhe i hodhi në sternë. Ndër ta ishin edhe dhjetë burra, që i thanë Ishmaelit: «Mos na vrit, se kemi fshehur ndër ara tëmotjet: grurë, elb, vaj e mjaltë». Atëherë ai u përmbajt e nuk i vrau me vëllezërit e tyre. Sterna ku Ishmaeli kishte hedhur të gjitha kufomat e burrave që kishte vrarë, bashkë me Gedaliahun, ishte sterna e madhe që kishte bërë mbreti Asa, për t'u mbrojtur nga Bashai, mbreti i Izraelit. Ishmaeli, biri i Netanjahut, e mbushi me të therurit. Pastaj Ishmaeli robëroi tepricën e popullit, që gjendej në Micpah, të bijat e mbretit dhe të gjithë popullin që kishte mbetur në Micpah, që Nebuzaradani, kryerojtari, ia kishte besuar Gedaliahut, birit të Ahikamit. Ishmaeli, biri i Netanjahut, i robëroi dhe shkoi e kaloi në drejtim të amonitëve. Por Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të, dëgjuan për tërë ligësinë që kishte bërë Ishmaeli, biri i Netanjahut, mblodhën të gjithë burrat, shkuan të luftonin kundër Ishmaelit, të birit të Netanjahut, dhe e zunë pranë pellgut të madh të Gibeonit. Mbarë populli, që ishte me Ishmaelin, u gëzua, kur pa Johananin, birin e Kareahut, dhe të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të. Atëherë u soll mbarë populli që Ishmaeli kishte marrë rob nga Micpahu. Ata u kthyen e shkuan te Johanani, biri i Kareahut. Por Ishmaeli, biri i Netanjahut, i shpëtoi Johananit bashkë me tetë burra dhe shkoi tek amonitët. Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të, morën nga Micpahu mbarë popullin e mbetur, që ia hoqi Ishmaelit, birit të Netanjahut, pasi ky kishte vrarë Gedaliahun, birin e Ahikamit: ushtarët, gratë, fëmijët, eunukët, të cilët Johanani i ktheu nga Gibeoni. Ata u nisën dhe u ndalën në Gerut Kimham, afër Betlehemit, për të shkuar e për të hyrë në Egjipt, larg kaldenjve, se kishin frikë prej tyre, për shkak se Ishmaeli, biri i Netanjahut, kishte vrarë Gedaliahun, të birin e Ahikamit, të cilin mbreti i Babilonisë e kishte caktuar përgjegjës të vendit. Të gjithë prijësit ushtarakë, Johanani, biri i Kareahut, Jezaniahu, biri i Hoshajahut, dhe mbarë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, erdhën te profeti Jeremi e i thanë: «Mbaje parasysh lutjen tonë dhe lutju për ne Zotit, Perëndisë tënd, për tërë këtë tepricë, sepse prej shumë vetëve kemi mbetur pak, siç po na sheh vetë me sytë e tu. Zoti, Perëndia yt, na e tregoftë udhën, në të cilën duhet të ecim dhe çfarë duhet të bëjmë». Profeti Jeremi u tha: «Mora vesh. Ja, do t'i lutem Zotit, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja. Pastaj do t'ju tregoj gjithçka që Zoti do të më përgjigjet për ju. Nuk do t'ju mbaj të fshehur asgjë». Atëherë ata i thanë Jeremisë: « Zoti qoftë dëshmitar i vërtetë e besnik kundër nesh, nëse nuk do të veprojmë në përkim me gjithçka që Zoti, Perëndia yt, do të të dërgojë për të na thënë si duhet të veprojmë. Mirë a keq, do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na bëhet mirë, për shkak se do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Perëndisë tonë». Pas dhjetë ditësh, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë. Ai thirri Johananin, birin e Kareahut, të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të e mbarë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, e u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat t'i paraqisja lutjen tuaj: nëse do të rrini në këtë vend, unë do t'ju ngre e nuk do t'ju rrëzoj, do t'ju mbjell e nuk do t'ju shkul, se më vjen keq për të keqen që ju kam bërë. Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, që ju tremb. Mos kini frikë prej tij, kumton Zoti, se unë do të jem me ju për t'ju shpëtuar e për t'ju çliruar prej dorës së tij. Unë do t'i kërkoj mëshirë për ju e ai do t'ju mëshirojë e do t'ju lërë në vendin tuaj. Por, nëse thoni: “Nuk do të rrimë në këtë tokë” dhe nuk do ta dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, e thoni: “Jo, se do të shkojmë në dheun e Egjiptit, se atje nuk do të shohim luftë, nuk do ta dëgjojmë zërin e borisë, nuk do të kemi uri për bukë e atje do të banojmë”, atëherë, për këtë arsye, dëgjojeni fjalën e Zotit, o teprica e Judës. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Nëse vërtet vendosni të shkoni në Egjipt e shkoni atje për të banuar, shpata, së cilës i trembeni, do t'ju zërë atje, në dheun e Egjiptit. Edhe uria, prej së cilës ju ka zënë ankthi, do t'ju ndjekë atje në Egjipt e atje do të vdisni. Të gjithë njerëzit që do të kenë vendosur të shkojnë në Egjipt për të banuar atje, do të vdesin prej shpatës, prej urisë e prej murtajës. Askush prej tyre nuk do të shpëtojë e t'i ikë zezonës që unë do të dërgoj kundër tyre”. Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Siç u zbraz zemërimi im e tërbimi im kundër banorëve të Jerusalemit, ashtu do të zbrazet zemërimi im kundër jush pasi të keni shkuar në Egjipt. Ju do të bëheni mallkim, tmerr, nëmë e tallje dhe nuk do ta shihni më këtë vend”. Zoti po ju thotë, o tepricë e Judës: mos shkoni në Egjipt. Dijeni mirë se sot po ju paralajmëroj, pasi rrezikuat jetën tuaj, kur më çuat te Zoti, Perëndia juaj, e më thatë: lutju për ne Zotit, Perëndisë sonë, na thuaj gjithçka thotë Zoti, Perëndia ynë, e ne do ta zbatojmë. Sot jua tregova, por ju nuk e dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, për gjithçka që ai më dërgoi t'ju them. Prandaj dijeni mirë se do të vdisni prej shpatës, prej urisë e prej murtajës në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar». Kur Jeremia përfundoi së thëni para mbarë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Perëndisë së tyre, të gjitha ato fjalë me të cilat Zoti, Perëndia i tyre, e kishte dërguar tek ata, Azarjahu, biri i Hoshajahut, Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë burrat kryeneçë i thanë Jeremisë: «Po na tregon gënjeshtra. Nuk të dërgoi Zoti, Perëndia ynë, për të na thënë: “Mos shkoni në Egjipt për të banuar atje”, por Baruku, biri i Neriahut, të dërgoi kundër nesh, për të na lënë në dorë të kaldenjve, që të na vrasin e të na shpërngulin në Babiloni». Johanani, biri i Kareahut, të gjithë prijësit ushtarakë e mbarë populli nuk e dëgjuan zërin e Zotit për të ndenjur në tokën e Judës. Atëherë Johanani, biri i Kareahut, bashkë me të gjithë prijësit ushtarakë, mblodhën të gjithë pjesën e mbetur të popullit të Judës, që ishin kthyer për të banuar në tokën e Judës nga të gjitha kombet ku kishin qenë të dëbuar, burrat, gratë, fëmijët, bijat e mbretit e këdo që Nebuzaradani, kryerojtari, kishte lënë me Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit, përfshirë profetin Jeremi e Barukun, birin e Neriahut. Ata shkuan në dheun e Egjiptit, se nuk e dëgjuan zërin e Zotit, e mbërritën në Tahpanhes. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë në Tahpanhes: «Merr në dorë gurë të mëdhenj e mbuloji me llaç, në shtrojën që gjendet në hyrje të pallatit të faraonit, në Tahpanhes, para syve të judenjve. Pastaj thuaju: kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do të dërgoj e të marr Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do ta vendos fronin e tij mbi këta gurë, që mbulova, e mbi ta ai do të shtrijë tendën e vet. Ai do të vijë e do ta godasë tokën e Egjiptit, që të vdesin ata që janë për vdekje, të robërohen ata që janë për robërim e të theren me shpatë ata që janë për shpatë. Ai do t'u vërë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit, do t'i djegë e do t'i robërojë. Ai do ta pastrojë dheun e Egjiptit siç pastron bariu gunën nga pleshtat e do të shkojë që andej i kënaqur. Do t'i copëtojë përmendoret e tempullit të diellit në dheun e Egjiptit dhe do t'u vërë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit». Fjala iu drejtua Jeremisë për të gjithë judenjtë, që banonin në dheun e Egjiptit, në Migdol, në Tahpanhes, në Memfis e në dheun e Patrosit, e i tha: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ju e patë tërë zezonën që çova kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qyteteve të Judës. Ja, sot janë të shkretuara e pa banorë, për shkak të ligësisë që kryen, për të më zemëruar, duke shkuar për t'u kushtuar temjan e për t'u shërbyer perëndive të tjerë, që nuk i njihnit as ju, as etërit tuaj. Unë ju kam dërguar pareshtur të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, për t'ju thënë: mos e bëni këtë pështirësi, që unë e urrej, por ata nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin për të hequr dorë nga ligësia e tyre e për të mos u kushtuar temjan perëndive të tjerë. Prandaj, zemërimi im e hidhërimi im u zbrazën e u ndezën në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, që u shkatërruan e u shkretuan, siç janë edhe sot. Prandaj, kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: pse po e kryeni këtë ligësi të madhe kundër vetes suaj, sa të zhbihen prej jush burri e gruaja, fëmija e foshnja, e të mos mbesë prej jush një tepricë? Pse më zemëroni me veprat e duarve tuaja, duke u kushtuar temjan perëndive të huaj në dheun e Egjiptit, ku keni ardhur për të banuar, që të zhbiheni e të bëheni mallkim e tallje mes të gjitha kombeve të dheut? A i keni harruar ligësitë e etërve tuaj, ligësitë e mbretërve të Judës, ligësitë e prijësve tuaj, ligësitë tuaja e të grave tuaja, që kryet në dheun e Judës e në rrugët e Jerusalemit? Nuk janë penduar deri më sot, nuk janë druajtur e nuk kanë ecur sipas ligjit tim e rregullave të mia që ju parashtrova juve dhe etërve tuaj. Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, po kthej fytyrën kundër jush për keq e për ta zhbirë tërë Judën. Do ta marr tepricën e Judës, që vendosi të vinte e të banonte në dheun e Egjiptit, do të marrin fund të gjithë në dheun e Egjiptit, do të bien prej shpatës e prej urisë do të marrin fund që nga më i vogli te më i madhi. Prej shpatës e prej urisë do të vdesin e do të bëhen mallkim, tmerr, nëmë e tallje. Do t'i ndëshkoj ata që banojnë në dheun e Egjiptit, siç ndëshkova Jerusalemin, me shpatë, me uri e me murtajë. Nuk do të shpëtojë as do të ikë askush nga teprica e Judës që ka ardhur për të banuar në dheun e Egjiptit për t'u kthyer në dheun e Judës, ku dëshirojnë të kthehen për të banuar. Nuk do të kthehen, përveç disa të ikurve». Atëherë të gjithë burrat që e dinin se gratë e tyre u kishin kushtuar temjan perëndive të tjerë dhe të gjitha gratë e pranishme, pra një bashkësi e madhe, dhe mbarë populli që banonte në Patros, në dheun e Egjiptit, u përgjigjën: «Për fjalën që the në emër të Zotit ne nuk do të të dëgjojmë, por do të bëjmë gjithçka kemi premtuar, do t'i kushtojmë temjan mbretëreshës së qiejve e do të kushtojmë fli stërpikjeje, siç kemi bërë ne dhe etërit tanë, mbretërit e prijësit tanë në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, se qemë të nginjur me ushqim, patëm begati e nuk pamë asnjë fatkeqësi. Që kur nuk i kushtojmë më temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit, na ka munguar gjithçka e morëm fund prej shpatës e prej urisë». Ndërsa gratë thanë: «Kur i kushtojmë temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit, mos vallë pa burrat tanë ia bëjmë kuleçtë, sipas shëmbëllimit të saj, dhe i kushtojmë fli stërpikjeje?». Jeremia i tha mbarë popullit, burrave, grave e të gjithë popullit që i kishte kthyer përgjigje: «A nuk e kujton dhe a nuk e mban mend Zoti temjanin që kushtuat në qytetet e Judës e nëpër rrugët e Jerusalemit ju dhe etërit tuaj, mbretërit, prijësit tuaj e mbarë populli i vendit? Zoti nuk mund t'i duronte më veprat tuaja të liga dhe pështirësitë që kryet, prandaj toka juaj u bë shkretim, tmerr, nëmë e pa banorë, siç është edhe sot. Ju kushtuat temjan e mëkatuat kundër Zotit, nuk e dëgjuat zërin e Zotit dhe nuk ecët sipas ligjit të tij, sipas rregullave të tij dhe dëshmive të tij, prandaj ju ra kjo zezonë, siç është edhe sot». Pastaj Jeremia i tha mbarë popullit dhe të gjitha grave: «Dëgjojeni fjalën e Zotit të gjithë ju judenjtë që jeni në Egjipt. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ju dhe gratë tuaja e keni shpallur me gojën tuaj dhe e keni zbatuar me duart tuaja, çfarë kishit thënë: “Ne do t'i përmbushim të gjitha zotimet që kemi bërë, për t'i kushtuar temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit”. Kryejini zotimet tuaja e zbatojini zotimet tuaja. Megjithatë, dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju judenj që banoni në dheun e Egjiptit. Ja, betohem për emrin tim të madh, thotë Zoti, se emri im nuk do të thirret më në dheun e Egjiptit nga goja e asnjë judeu që thotë: “Pasha Zotin, Zotin tim!”. Ja, do t'i këqyr për keq e jo për mirë. Secili jude, që është në dheun e Egjiptit, do të goditet me shpatë e me uri, deri në shfarosje. Të shpëtuarit nga shpata do të kthehen nga dheu i Egjiptit në dheun e Judës, të paktë në numër, ndërsa mbarë teprica e Judës, që shkoi të banojë në dheun e Egjiptit, do ta marrë vesh cila fjalë do të mbahet, e imja apo e tyrja. Kjo do të jetë për ju shenja, kumton Zoti, se unë do ta ndëshkoj këtë vend, që ta merrni vesh se fjalët e mia do të mbahen për të keqen tuaj. Kështu thotë Zoti: ja, do ta lë faraonin Hofra, mbretin e Egjiptit, në dorë të armiqve të tij dhe të atyre që duan t'ia marrin shpirtin, siç lashë Sedekinë, mbretin e Judës, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, armikut të tij, që donte t'ia merrte shpirtin». Fjala që i shpalli profeti Jeremi Barukut, birit të Neriahut, kur ai i shkroi në libër këto fjalë, që i tha Jeremia, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për ty, Baruk: ti ke thënë: “Mjerë unë, se Zoti po i shton pikëllimin dhimbjes sime. U lodha nga ofshamat e nuk gjej prehje”. Duhet t'i thuash se kështu thotë Zoti: “Ja, çfarë ndërtova vetë, po e shemb e çfarë mbolla vetë, po e shkul. Kjo vlen për mbarë dheun. E ti po kërkon gjëra të mëdha për vete? Mos i kërko, se, ja, po dërgoj zezonën mbi çdo gjallesë, kumton Zoti. Ty do të të jap jetën si plaçkë në të gjitha vendet ku do të shkosh”». Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremi për kombet. Për Egjiptin. Kundër ushtrisë së faraonit Nekoh, mbretit të Egjiptit, pranë lumit Eufrat, në Karkemish, të cilin Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e kishte mundur në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës: «Bëni gati shqyt e mburojë e afrohuni për betejë. Shaloni kuajt e hipni, o kalorës. Rreshtohuni me përkrenare, pastroni heshtat, ngjishni armët. Pse i shoh të tmerruar, tek kthehen pas? Luftëtarët e tyre u shpartalluan e ua mbathin këmbëve pa kthyer kokën. Tmerr rreth e qark, kumton Zoti. Nuk do të shpëtojë i shkathti e nuk do të ikë dot as trimi. Në veri, ndanë lumit Eufrat, pengohen e bien. Kush është ky që fryhet si Nili, si lumenjtë që gufojnë me ujë? Egjipti fryhet si Nili, si lumenjtë që gufojnë me ujë. E thotë: do të ngrihem, do ta mbuloj tokën, do të shkatërroj qytetet bashkë me banorët e tyre. Përpara, o kuaj! Tërbohuni, o karroca! Dilni, o luftëtarë, Kushi e Puti, që mbani shqyt, e ju luditë që mbani e ndehni hark. Por ajo ditë do të jetë për Zotin, Perëndinë e ushtrive, dita kur me armiqtë do të hakmerret. Shpata do të përpijë, do të ngihet e do të ngopet me gjakun e tyre, se do të jetë flijim për Zotin tonë, Zotin e ushtrive, në dheun e veriut, ndanë lumit Eufrat. Ngjitu në Gilead e merr balsam, o virgjëreshë, bija e Egjiptit. Kot i shumove përkujdesjet, se s'ka shërim për ty. Kombet e kanë marrë vesh turpin tënd, plot është toka me vikamën tënde, se luftëtari pengohet nga luftëtari e të dy rrëzohen së bashku». Fjala që Zoti i tha profetit Jeremi, kur Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi për të sulmuar Egjiptin. «Shpalleni në Egjipt, le të dëgjohet në Migdol, le të dëgjohet në Memfis e Tahpanhes, thanë: dilni e bëhuni gati, se shpata rreth teje po përpin. Pse u përmbysën të fortët e tu? Nuk qëndrojnë dot, se Zoti i shtyu. Ai pengoi shumë vetë e ata ranë mbi njëri-tjetrin dhe thanë: çohuni, të kthehemi te populli ynë, te dheu ku lindëm, larg shpatës shfarosëse. Quajeni atje faraonin, mbretin e Egjiptit, “Zhurmëmadhi që i ikën rasti”. Pasha jetën time, kumton mbreti, që e ka emrin Zot i ushtrive, si Tabori ndër male e si Karmeli buzë detit do të vijë dikush. Bëje gati trastën për mërgim, o bijë që në Egjipt banon, se Memfisi do të shkretohet e nuk do të ketë banorë. Si drenushë e bukur fort është Egjipti, por miza e kalit po i vjen prej veriut. Edhe ushtarët mëditës në mesin e saj janë porsi viçat e majmë, por edhe ata do të kthehen e bashkë do të arratisen. Nuk do të qëndrojnë, se u erdhi dita e rrënimit, koha e ndëshkimit. Zëri i saj si gjarpri rrëshqitës, se armiqtë vijnë me fuqi, vijnë kundër saj me sëpata, porsi druvarë. Do ta presin pyllin e saj, kumton Zoti, edhe pse është i dendur, se nuk numërohen dot, janë porsi karkalecat e nuk kanë numër. Do të turpërohet bija e Egjiptit, popullit të veriut do t'i lihet në dorë». Thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: «Ja, do ta ndëshkoj Amonin e Nosë, faraonin, Egjiptin me perënditë e mbretërit e tij, faraonin dhe ata që i besojnë atij. Do t'i lë në dorë të atyre që kërkojnë t'ua marrin shpirtin, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, dhe të shërbëtorëve të tij. E pastaj Egjipti do të bëhet i banuar, si dikur, kumton Zoti. Por ti mos u tremb, shërbëtori im Jakob, mos u frikëso, Izrael, se, ja, do të të çliroj prej dheut të largët dhe pasardhësit e tu prej dheut të robërisë. Do të kthehet Jakobi, do të prehet e do të çlodhet dhe askush nuk do ta trembë. Ti mos u tremb, shërbëtori im Jakob, kumton Zoti, se unë jam me ty. Do t'i zhbij të gjitha kombet ndër të cilat të shpërndava, por ty nuk do të të zhbij. Do të të qortoj me drejtësi, vërtet, nuk do të të lë pa ndëshkim». Fjala e Zotit drejtuar profetit Jeremi për filistinët, para se faraoni të sulmonte Gazën. Kështu thotë Zoti: «Ja, po fryhen ujërat prej veriut, po bëhen përrua rrëmbyes, po e përmbytin tokën me gjithçka e mbush, qytetin e banorët e tij. Gjithkush bërtet, çdo banor i dheut ulërin. Prej tingullit të përpushjes së patkonjve të hamshorëve, prej sokëllimës së karrocave, prej vringëllimës së rrotave, etërit nuk kthehen kah bijtë, se u flashken duart, se erdhi dita për t'i shkatërruar të gjithë filistinët, për të zhbirë nga Tiri e Sidoni çdo ndihmëtar të mbetur, se Zoti po i shkatërron filistinët, tepricën e bregut të Kaftorit. Gazës i ka rënë shoga, Ashkeloni ka rënë në heshtje. O tepricë e luginës së tyre, deri kur do të çirreni? Ah, shpatë e Zotit, edhe sa kohë të duhet që të pushosh? Hyr në mill, ndalu e pusho! Si mund të pushojë, kur Zoti e ka urdhëruar? Kundër Ashkelonit e kundër bregdetit, atje e ka caktuar». Për Moabin. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: «Mjerë Neboja, se do të shkretohet. Kirjataimi do të turpërohet e do të pushtohet, do të turpërohet kështjella e do të thërrmohet. Nuk bën më bujë Moabi. Në Heshbon sendërgjuan ligësi kundër tij: ejani, ta shuajmë si komb. Edhe ti, o Madmen, do të heshtësh e shpata do të të ndjekë. Një zë, një britmë nga Horonaimi: shkretim e rrënim i madh! U thërrmua Moabi, të miturit e tij lëshojnë vikamën. Se ngjiten përpjetës së Luhitit e vajtojnë edhe në tatëpjetën e Horonaimit dëgjohen vikamat e rrënimit. Mbathjani, shpëtoni veten, se do të bëheni si Aroeri në shkretëtirë. Se, pasi besove në veprat e tua e në thesaret e tua, edhe ti do të pushtohesh, Kemoshi do të shkojë në mërgim bashkë me priftërinjtë e me prijësit. Një shkatërrimtar do të vijë kundër çdo qyteti e asnjë qytet nuk do të shpëtojë. Do të rrënohet lugina e do të shkatërrohet pllaja, siç shpalli Zoti. Jepini krahë Moabit, se do të fluturojë. Qytetet e tij do të shkretohen e nuk do të ketë banorë në to. Mallkuar kush e kryen me plogështi veprën e Zotit dhe mallkuar kush e ruan shpatën nga gjaku. I qetë ishte Moabi që në rini, i patrazuar mbi llumin e vet, i pazbrazur nga ena në enë, se nuk qe shpërngulur, prandaj i ka mbetur shija e nuk ka ndryshuar erë. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, e do t'i dërgoj zbrazës, që do ta zbrazin, do t'ia derdhin enët e do t'ia copëtojnë kacekët. Moabi do të ketë turp për Kemoshin, siç pati turp shtëpia e Izraelit për Betelin, ku kishte varur shpresën. Si mund të thoni: “Ne jemi trima e burra të fuqishëm për betejë”? Po çohet shkatërrimtari i Moabit e i qyteteve të tij e lulja e rinisë së tij do të bjerë në thertore, kumton mbreti që e ka emrin Zot i ushtrive. Afër është mjerimi i Moabit, zezona e tij vjen me shumë ngut. Për të vajtoni gjithë ju që e rrethoni, gjithë ju që ia dini emrin, thoni: “Si u thye druri i fortë, shkopi i lavdishëm?”. Zbrit nga lavdia e bano në thatësirë, o banor i Dibonit, se po çohet kundër teje shkatërrimtari i Moabit e ai do t'i rrënojë qytetet e tua të fortifikuara. Rri pranë udhës e vështro, o ti që banon në Aroer. Pyet ikanakun e ikanaken e thuaj: “Çfarë ka ndodhur?”. Turpërohet Moabi, se u shemb. Vajtim e britmë! Shpallni në Arnon, se u shkatërrua Moabi. Erdhi gjykimi për dheun e rrafshnaltës, për Holonin, për Jahacin, për Mefatin, për Dibonin, për Nebonë, për Bet Diblataimin për Kirjataimin, për Bet Gamulin, për Bet Meonin, për Keriotin, për Bocrahun e për të gjitha qytetet e dheut të Moabit, të largëtat e të afërtat. Iu këput briri Moabit e iu thye krahu, kumton Zoti. Deheni, se u mbajt më i madh se Zoti, prandaj do të plandoset Moabi në të vjellat e veta e do të bëhet qesharak edhe ai. A nuk ishte qesharak Izraeli për ju? A u kap ndër vjedhës, që, sa herë flisje për të, tundje kokën? Braktisni qytetet e banoni ndër shkëmbinj, o banorë të Moabit, bëhuni si pëllumbi që e vë folenë buzë humnerës. Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit, e madhe është krekosja e tij, krenaria e tij, mburrja e tij e mendjemadhësia e tij. E njoh kryeneçësinë e tij, kumton Zoti, por e kotë është mburrja e tij e të kota veprat e tij. Prandaj vajtoj për Moabin, për Moabin mbarë bërtas, për të gjithë njerëzit e Kir Heresit ofshaj. Më shumë se për Jazerin vajtoj për ty, o vreshti i Sibmahut. Shermendet e tu mbërrijnë përtej detit, mbërrijnë gjer në Jazer. Mbi të korrat e tua e mbi të vjelat e tua shkatërrimtari po vërsulet. U zhduk gëzimi e hareja nga vreshti e nga dheu i Moabit. E ndala verën prej torkut, askush nuk shtyp me gëzim, gëzimi nuk është më gëzim. Nga britmat e Heshbonit deri në Elealeh e deri në Jahac e çojnë zërin, nga Coari në Horonaim e në Eglat Shlishijah, se edhe ujërat e Nimrimit janë shkretuar. Do ta zhduk Moabin, kumton Zoti, atë që kushton fli në vend të lartë, që u kushton fli temjani perëndive të vet. Prandaj ofshan zemra ime porsi fyell për Moabin, ofshan zemra ime porsi fyell për njerëzit e Kir Heresit, prandaj do ta humbasin begatinë që mblodhën. Se do të rruhet çdo kokë e do të pritet çdo mjekër. Çdo dorë është gërvishtur dhe ijët i kanë mbuluar me grathore. Mbi të gjitha pullazet e Moabit e mbi të gjitha sheshet e tij gjithçka është vajtim, se e thërrmova Moabin si enën pa vlerë, kumton Zoti. Si u shkatërrua! Vajtoni! Si e ktheu kokën i turpëruar Moabi! Moabi u bë qesharak e tmerr për të gjithë ata që e rrethojnë. Se kështu thotë Zoti: ja, si shqiponja flatron e hap krahët ndaj Moabit. Qytetet do të pushtohen e fortesat do të zaptohen. Atë ditë, zemra e trimave të Moabit si zemra e gruas që lind do të jetë. Mori fund Moabi e nuk është më popull, se u krekos kundër Zotit. Tmerri, gropa e laku të presin, o banor i Moabit, kumton Zoti. Kush ikën për shkak të tmerrit, do të bjerë në gropë. Ai që do të ngjitet nga gropa, do të zihet në lak, se do të dërgoj kundër Moabit vitin e ndëshkimit, kumton Zoti. Te hija e Heshbonit ndalen ikanakët e mekur, por zjarr shpërthen prej Heshbonit e flakë prej pallatit të Sihonit dhe e përpin ballin e Moabit e kafkën e zhurmëtarëve. Mjerë ti, Moab, u rrënove, o populli i Kemoshit, se u zunë robër bijtë e tu e robinja, bijat e tua. Por unë do t'i kthej robërit e Moabit në ditët e fundit, kumton Zoti ». Deri këtu gjykimi i Moabit. Për bijtë e Amonit. Kështu thotë Zoti: «A nuk ka bij Izraeli? A nuk e ka një trashëgimtar? Pse e mori Milkomi trashëgiminë e Gadit e populli i vet banon në qytetet e tij? Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do të bëj të dëgjohet britma e betejës kundër Rabahut të amonitëve. Do të bëhet pirg rrënojash e fshatrat e tij do të digjen në zjarr. Izraeli do t'ua marrë trashëgiminë atyre që ia patën marrë, kumton Zoti. Vajto, o Heshbon, se u rrënua Aji! Çirruni, o bijat e Rabahut, vishuni me grathore e mbani zi dhe enduni brenda gardheve, se Milkomi do të dëbohet bashkë me priftërinj e me prijës. Pse mburresh me luginat e tua, o bijë besëshkalë, që u beson thesareve të veta e thua: “Kush do të më dalë kundër?”. Ja, do të sjell tmerrin kundër teje, kumton Zoti, Zoti i ushtrive, prej tërë atyre që të rrethojnë. Do të dëboheni, secili në drejtimin e vet, e askush nuk do t'i mbledhë ikanakët. Por pastaj do t'i kthej të robëruarit e amonitëve, kumton Zoti ». Për Edomin. Kështu thotë Zoti i ushtrive: «A nuk ka më urti në Teman? A u zhbë këshilli i të mençurve? A u ter urtia e tyre? Ikni, kthehuni, hyni nëpër shpella për të banuar, o banorë të Dedanit, se do të çoj kundër tij kobin e Esaut, kohën e ndëshkimit. Nëse vijnë te ti vjelësit, a nuk do të t'i lënë rrëfanat? Nëse vijnë vjedhësit natën, a nuk do të bastisin vetëm aq sa munden? Se unë vetë do ta zhvesh Esaun, do t'ia zbuloj të fshehtat e ai nuk do të mund të përvidhet. Do t'i shuhet fara, fisi e miqësia e ai nuk do të jetë më. Braktisi jetimët e tu. Unë do t'i mbaj gjallë. Le të besojnë në mua të vejat e tua. Se kështu thotë Zoti: “Ja, ata që nuk ishin të detyruar ta pinin kupën, do ta pinë që do ta pinë. Po ti, a do t'i shpëtosh ndëshkimit? Nuk do t'i shpëtosh, por do ta pish që do ta pish. Se jam betuar për veten time, kumton Zoti, se Bocrahu do të bëhet rrënim, tallje, shkretim e mallkim dhe të gjitha qytetet e saj do të kthehen në rrënoja përgjithmonë”. Dëgjova një lajm nga Zoti, një lajmëtar u është dërguar kombeve: “Mblidhuni e rendni kundër tij! Çohuni për betejë!”. Se, ja, do të të bëj të vogël ndër kombe, të përçmuar ndër njerëz. Të ka mashtruar mujshia jote, krenia e zemrës sate, o banor i plasave të shkrepave që je ngulur majë kodrës. Edhe po ta vësh lart si shqiponja folenë, do të të plandos që andej, kumton Zoti. Edomi do të bëhet i tmerrshëm. Kushdo të kalojë pranë tij do të tmerrohet e do të fërshëllejë për të gjitha plagët e tij. Siç u përmbysën Sodoma, Gomorra dhe rrethinat e saj, thotë Zoti, ashtu nuk do të banojë më askush atje e nuk do të zërë vend në të asnjeri. Ja, porsi luanin, që del nga shkurrnaja e Jordanit drejt kullotave të përhershme, ashtu do ta dëboj njëherësh prej andej e do të vendos në të këdo që të zgjedh. Se, kush është si unë? Kush do të më paditë? Kush është ai bari që mund të qëndrojë para meje? Prandaj dëgjojeni vendimin që mori Zoti kundër Edomit dhe shestimet që thuri kundër banorëve të Temanit: edhe të vegjlit e grigjave do të merren zvarrë, edhe kullotat e tyre do të shkretohen për ta. Toka do të dridhet prej ushtimës së rrëzimit të tyre. Britma e ushtimës së tij do të dëgjohet në detin e Kuq. Ja, si shqiponja do të ngrihet, do të flatrojë e do të hapë krahët mbi Bocrah. Dhe, atë ditë, zemra e trimave të Edomit do të jetë si zemra e gruas që lind». Për Damaskun. «Hamati e Arpadi u tronditën, se dëgjuan një lajm të keq. U trazuan si deti prej ankthit e nuk rrinë dot të qetë. Damasku u mek, u kthye për të ikur, e zuri tmerri, e kapi ankthi dhe dhimbjet porsi të gruas që lind. Si të mos braktisej qyteti i lavdishëm, qyteti i ngazëllimit tim? Prandaj do të bien të rinjtë e tij nëpër sheshe, të gjithë luftëtarët do të shuhen atë ditë, kumton Zoti i ushtrive. Do t'u vë zjarrin mureve të Damaskut, që t'i përpijë pallatet e Ben Hadadit». Për Kedarin e për mbretëritë e Hacorit që i shpartalloi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Kështu thotë Zoti: «Çohuni, ngrihuni kundër Kedarit! Shkatërrojini njerëzit e lindjes. Tendat e grigjat do t'u merren, do t'ua heqin pëlhurat, tërë enët e devetë e do t'u thonë: tmerr rreth e rrotull! Ikni, fluturoni shpejt, hyni nëpër shpella për të banuar, o banorë të Hacorit, kumton Zoti, se Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, po thur synime kundër jush, po bën shestime kundër jush. Çohuni, ngrihuni kundër kombit të plogët, që banon i sigurt, kumton Zoti, që nuk ka as dyer, as shula dhe banojnë të veçuar. Devetë e tij do të bëhen pre, bagëtitë e tij të shumta, plaçkë. Do t'i shpërndaj nëpër tërë erërat ata që rruajnë tëmthat, do t'ua sjell rrënimin nga të gjitha anët, kumton Zoti. Hacori do të bëhet strofull çakejsh, shkretim përgjithmonë. Atje nuk do të banojë askush e asnjeri nuk do ta vërë banesën në të». Fjala e Zotit drejtuar profetit Jeremi për Elamin, në fillim të mbretërimit të Sedekisë, mbretit të Judës. Kështu thotë Zoti i ushtrive: «Ja, do t'ia copëtoj Elamit harkun, kulmin e fuqisë së tij. Do të sjell katër erërat kundër Elamit, nga të katër skajet e qiellit. Pastaj do t'i shpërndaj nëpër të gjitha këto erëra e nuk do të ketë komb ku nuk do të shkojnë të dëbuarit e Elamit. Do ta tmerroj Elamin para armiqve të vet e para atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Do të sjell zezonën kundër tyre, flakën e zemërimit tim, kumton Zoti. Do të dërgoj shpatën pas tyre derisa t'u jap fund. Pastaj do ta vë fronin tim në Elam e do të zhbij që andej mbret e prijës, kumton Zoti. Megjithatë, në mbarim të ditëve, do t'i kthej të dëbuarit e Elamit, kumton Zoti ». Fjala që Zoti i drejtoi Babilonisë, tokës së kaldenjve, me anë të profetit Jeremi: «Njoftojini kombet e shpallni, mos e mbani të fshehur, por kumtoni: u mor Babilonia, u turpërua Beli, Merodaku u shemb. U turpëruan shëmbëllimet e saj, u shembën idhujt e saj. Se prej veriut një komb po ngrihet kundër saj që do ta kthejë në tokë të shkretuar, ku nuk do të ketë njeri që të banojë. Njerëz e kafshë do të ikin tutje. Në ato ditë e në atë kohë, kumton Zoti, do të vijnë bijtë e Izraelit. Ata bashkë me bijtë e Judës, do të shkojnë duke vajtuar e do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre. Do të pyesin për Sionin e, me fytyrën kthyer drejt tij, do të thonë: ejani, le të bashkohemi me Zotin me një besëlidhje të përhershme që nuk do të harrohet! Grigjë e humbur ishte populli im. Barinjtë i kishin përendur, i kishin humbur maleve. Nga mali në kodër ishin endur, e kishin harruar vathën. Kushdo i gjente i përlante dhe armiqtë e tyre thoshin: nuk kemi faj, se kanë mëkatuar kundër Zotit, banesës së drejtësisë, shpresës së etërve tyre, Zotit vetë. Ikni nga Babilonia, nga toka e kaldenjve, e bëhuni si cjeptë që i prijnë grigjës. Se, ja, unë po ngre e po çoj kundër Babilonisë një mori kombesh të mëdha nga dheu i veriut. Do të rreshtohen kundër saj e prej andej do të pushtohet. Shigjetat e tyre janë porsi luftëtari që nuk kthehet duarzbrazur. Kaldeja do të bëhet plaçkë. Të gjithë ata që do ta plaçkitin do të ngopen, kumton Zoti. Ndonëse gëzoheni e harboheni, o plaçkitësit e trashëgimisë sime, kërceni si mëshqerra në lëndinë, hingëllini si hamshorë, nënën tuaj do ta mbulojë turpi, do të koritet ajo që ju lindi. Ja, do të jetë e fundit ndër kombe, shkretëtirë, shkretim e djerrinë. Për shkak të zemërimit të Zotit, nuk do të banohet, por do të jetë e tëra shkretim. Kushdo të kalojë pranë Babilonisë do të shtanget e do të fërshëllejë për shkak të plagëve të saj. Rreshtohuni kundër Babilonisë, rreth e rrotull, të gjithë ju që ndehni harkun, gjuajeni pa i kursyer shigjetat, se ka mëkatuar kundër Zotit. Lëshoni kushtrimin kundër saj, rreth e rrotull; hoqi dorë, u shembën kullat e saj, u rrëzuan muret e saj, se kjo është hakmarrja e Zotit. Hakmerruni me të, siç veproi ajo, ashtu veproni ndaj saj. Zhbijeni mbjellësin prej Babilonisë, edhe korrtarin në kohën e të korrave. Përballë shpatës së shtypësit, secili të kthehet drejt popullit të vet, secili të ikë në tokën e vet. Izraeli është dele e dëbuar që e përndjekin luanët. I pari që e përpiu është mbreti i Asirisë dhe i fundit që ia brejti kockat është Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: do ta ndëshkoj mbretin e Babilonisë dhe tokën e tij, siç kam ndëshkuar mbretin e Asirisë. Do ta kthej Izraelin në kullotat e veta, do të kullotë në Karmel e në Bashan dhe dëshirat e tij do të plotësohen në kodrat e Efraimit dhe në Gilead. Në ato ditë e në atë kohë, kumton Zoti, do të kërkohet ligësia e Izraelit, por nuk do të ketë më. Do të kërkohen mëkatet e Judës, por nuk do të gjenden, sepse do t'i fal ata që do të lë si tepricë. Ngrihu kundër tokës së Merataimit e kundër banorëve të Pekodit! Vriti e shfarosi tërësisht, kumton Zoti, e bëj gjithçka të urdhërova! Ushtimë beteje mbi dhe e rrënim i madh! Si u këput e u thye çekani i mbarë dheut? Si u bë e tmerrshme Babilonia ndër popuj? Të ngrita një kurth e u zure, o Babiloni, pa e marrë vesh. U gjete e u kape, se me Zotin u ndeshe. Zoti e hapi qilarin e vet dhe nxori mjetet e zemërimit të vet, se vepër e Zotit tim është ajo, e Zotit të ushtrive në dheun e kaldenjve. Ejani kundër saj nga skajet, hapjani drithnikët, grumbullojeni si pirgjet e shfaroseni, të mos i teprojë asgjë. Therjani tërë buajt, le të bien në thertore. Mjerë ata, se po vjen dita e tyre, koha e ndëshkimit të tyre. Britmë! Ikanakët e të arratisurit nga dheu i Babilonisë, njoftojnë në Sion hakmarrjen e Zotit, Perëndisë tonë, hakmarrjen për tempullin e tij! Thirrni harkëtarë kundër Babilonisë, të gjithë ata që ndehin harkun. Vini fushimin rreth saj e të mos ikë askush. Shpërblejeni sipas veprave të veta. Pikërisht siç veproi ajo, veproni ndaj saj, sepse u bë kryeneçe ndaj Zotit, ndaj të shenjtit të Izraelit. Prandaj, të rinjtë e saj do të bien ndër sheshe dhe të gjithë luftëtarët e saj do të shuhen atë ditë, kumton Zoti. Ja, jam kundër teje, o kryeneçe, kumton Zoti im, Zoti i ushtrive, se erdhi dita jote, koha e ndëshkimit tënd. Do të lëkundet kryeneçja e do të rrëzohet e nuk do të ketë kush ta mëkëmbë. Do t'u vë flakën qyteteve të saj e do të përpijë gjithçka përreth saj. Kështu thotë Zoti i ushtrive: bijtë e Izraelit janë të shtypur, bashkë me bijtë e Judës. Të gjithë ata që i kanë rrëmbyer, i mbajnë të kapur e nuk duan t'i lëshojnë. Shpenguesi i tyre është i fortë, Zot i ushtrive është emri i tij. Ai do të rragatet për çështjen e tyre, që t'i japë prehje tokës e trazim banorëve të Babilonisë. Shpata mbi kaldenjtë, kumton Zoti, edhe mbi banorët e Babilonisë, edhe kundër prijësve e dijetarëve të saj! Shpata mbi falltarët, ata u marrosshin! Shpata kundër luftëtarëve, ata u rrënofshin! Shpata kundër kuajve e karrocave të saj e kundër të gjithë të huajve midis saj, ata u bëfshin si gratë! Shpata kundër të gjitha thesareve të saj, ato u plaçkitshin! Thatësira mbi ujërat e saj, ato u thafshin! Se tokë idhujsh është ajo e prej dordolecëve çarten. Prandaj, në të do të banojnë egërsirat me hienat. Edhe strucat do të banojnë në të. Nuk do të banohet kurrë më e nuk do të ketë banorë brez pas brezi. Siç i përmbysi Perëndia Sodomën, Gomorrën dhe rrethinat e saj, kumton Zoti, ashtu nuk do të banojë më askush atje e nuk do të zërë vend në të asnjeri. Ja, një popull po vjen nga veriu, një komb i madh e shumë mbretër po turren nga skajet e dheut. Hark e heshtë mbartin, janë mizorë e s'kanë mëshirë. Zhurma e tyre është si ushtima e detit, vijnë kaluar mbi kuaj, rreshtuar si një trup për betejë, kundër teje, bijë e Babilonisë. Mbreti i Babilonisë e dëgjoi njoftimin e tyre, duart iu prenë, brenga e pushtoi dhe ankthi, si i gruas që lind. Ja, porsi luanin, që del nga shkurrnaja e Jordanit drejt kullotave të përhershme, ashtu do ta dëboj njëherësh prej andej e do të vendos në të këdo që të zgjedh. Se, kush është si unë? Kush do të më paditë? Kush është ai bari që mund të qëndrojë para meje? Prandaj, dëgjojeni vendimin që mori Zoti kundër Babilonisë dhe shestimet që thuri kundër tokës së kaldenjve: edhe të vegjlit e grigjave do të merren zvarrë, edhe kullotat e tyre do të shkretohen për ta. Nga ushtima e pushtimit të Babilonisë do të trandet toka, britma e saj do të dëgjohet ndër kombe». Kështu thotë Zoti: «Ja, do të ngre kundër Babilonisë e kundër banorëve të Kaldesë një erë shkatërrimtare. Do të çoj në Babiloni shoshitës, që ta shoshitin e do ta zbrazin tokën e saj, se nga të gjitha anët do t'i sulen në ditën e zezonës. Harkëtari të mos e ndehë harkun e të mos krekoset me mburojë. Mos i kurseni të rinjtë e saj, shfaroseni tërë ushtrinë e saj». Do të bien të therur në tokën e kaldenjve, të shpuar nëpër rrugët e saj, se nuk është harruar Izraeli, as Juda, nga Perëndia i tyre, Zoti i ushtrive, por toka e kaldenjve është plot fajësi kundrejt të shenjtit të Izraelit. Ikni nga mesi i Babilonisë, secili të shpëtojë veten, mos u rrënoni për faj të saj, se kjo është koha e hakmarrjes së Zotit, plotësimi i shpërblimit të saj. Babilonia ishte gotë e artë në dorën e Zotit, që dehte tokën mbarë, prej verës së saj pinë kombet, prandaj kombet u dalldisën. Papritur, Babilonia ra e u thye, vajtoni për të, merrni balsam për dhimbjen e saj, ndoshta mund të shërohet. E kemi mjekuar Babiloninë, por nuk u shërua. Braktiseni e le të shkojmë secili në dheun e vet, se gjykimi i saj mbërriti në qiell, u ngrit gjer në re. Zoti na e nxori të drejtën, ejani, le ta tregojmë në Sion veprën e Zotit, Perëndisë tonë. Mprihni shigjetat, vishni parzmoret. Zoti ua ka trazuar shpirtin mbretërve të Medës, se qëllimi i tij kundrejt Babilonisë është ta shkatërrojë, se kjo është hakmarrja e Zotit, hakmarrja për tempullin e tij. Ngrini një flamur drejt mureve të Babilonisë, përforcojeni rojën, caktoni rojtarë, përgatitni pritat, se Zoti e mendoi dhe e zbatoi çfarë pati thënë për banorët e Babilonisë. O ti që banon ndanë ujërave të shumtë, me thesare të begata, të erdhi fundi, po të këputet filli. Zoti i ushtrive u betua për veten e vet: do të të mbush me njerëz si me karkaleca e ata do të këndojnë mbi ty këngën e fitores. Ai e bëri tokën me fuqinë e vet, e themeloi botën me urtinë e vet, i shtriu qiejt me mençurinë e vet. Kur e nxjerr zërin, trazohen ujërat në qiell dhe i ngre avujt nga skajet e dheut. Ai i bën vetëtimat e shiut dhe e nxjerr erën nga qilarët e vet. Marroset çdo njeri, pa marrë vesh, turpërohet çdo farkëtar për shkak të idhujve, se është e gënjeshtërt shkrirja e tij e nuk ka frymë në të. Janë kotësi, vepra qesharake. Në kohën e ndëshkimit të tyre, do të shkatërrohen. Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit, se ai i dha trajtë gjithçkaje, Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij, Zot i ushtrive është emri i tij. Çekan je ti për mua, mjet lufte, me ty i thërrmoja kombet, me ty i shkatërroja mbretëritë. Me ty thërrmoja kalë e kalorës, me ty thërrmoja karrocë e kalorës, me ty thërrmoja burrë e grua, me ty thërrmoja plak e të ri, me ty thërrmoja djalosh e vashëz, me ty thërrmoja bari e grigjë, me ty thërrmoja bujkun bashkë me qetë, me ty thërrmoja prijës e qeveritarë. Por do t'ia kthej, para syve tuaj, Babilonisë dhe të gjithë banorëve të Kaldesë, të gjithë ligësinë që bënë në Sion, kumton Zoti. Ja ku më ke, o mali i rrënimit, kumton Zoti, ti që e rrënon mbarë tokën. Do ta shtrij dorën kundër teje, do të të rrokullis nga thepat e do të të bëj mal të shkrumbuar. Asnjë gur nuk do të nxirret prej teje për qoshe, asnjë gur për themele, por do të jesh shkretim i përhershëm, kumton Zoti. Ngrini një flamur në vend, bini bririt mes kombeve, përgatituni për luftë kundër saj, thirrni kundër saj mbretëritë, Araratin, Miniun e Ashkenazin, caktoni kundër saj një udhëheqës, sillni kuajt si luzmë karkalecash. Përgatitni kombet kundër saj, mbretërit e Medës me prijësit e mbarë qeveritarët, mbarë vendet e mbretërisë së tij. Dridhet toka e gulçon, se u plotësuan kundër Babilonisë shestimet e Zotit, për ta kthyer tokën e Babilonisë në shkretim, në vend të pabanuar. Luftëtarët e Babilonisë kanë reshtur së luftuari, rrinë në fortesat e veta, i ka lënë fuqia, janë bërë si gra, janë djegur banesat e tyre, janë thyer shulat e tyre. Lajmëtari has në lajmëtar, njoftuesi has në njoftues, për ta njoftuar mbretin e Babilonisë se ky qytet u mor nga çdo anë. I janë zënë vatë, i janë djegur kallamishtet me zjarr, luftëtarët janë tmerruar. Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: bija e Babilonisë është porsi lëma në kohën e shirjes, edhe pak e do t'i vijë koha e korrjes. Na përpiu e na trullosi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, më rrëzoi. Më bëri enë të zbrazur, më gëlltiti si përbindësh, e mbushi barkun e më dëboi nga kënaqësitë e mia. Dhuna e dobësia ime i rëntë Babilonisë, thonë banorët e Sionit, e gjaku im mbi banorët e Kaldesë, thotë Jerusalemi. Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, do të rragatem për çështjen tënde, do ta marr unë harkun tënd. Do t'ia thaj detin, do t'ia ter gurrën. Babilonia do të bëhet pirg rrënojash, strofull çakejsh, tmerr e fishkëllimë, pa banorë fare. Do të ulërijnë së bashku si luanët, do të hingëllijnë si këlyshët e luaneshës. Kur t'i kapë zjarrmia, do t'ua bëj unë festën, do t'u jap të pinë, që të dëfrehen e të flenë gjumin e përhershëm pa zgjim, kumton Zoti. Do t'i zbres si qengjat në thertore, si deshtë dhe cjeptë. Si u mor Sheshaku, krenaria e mbarë dheut? Si u bë Babilonia tmerr ndër kombe? Hyri deti në Babiloni, u mbulua me dallgët e tij të rrëmbyeshme. U bënë shkretim qytetet e saj, tokë e thatë e stepë, tokë ku nuk banon askush, ku nuk kalon asnjeri. Do ta ndëshkoj Belin në Babiloni, do t'ia nxjerr nga goja ç'ka gëlltitur. Kombet nuk do të rrjedhin më drejt saj, edhe muret e Babilonisë do të rrafshohen. Dilni prej saj, populli im, secili të shpëtojë veten nga zemërimi i flaktë i Zotit. Mos t'ju lëshojë zemra e mos kini frikë nga njoftimi i shpallur në vend, kur të vijë një vit një njoftim e një vit tjetër një njoftim tjetër e kur të ketë dhunë në vend e sundimtar kundër sundimtari. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kur do t'i ndëshkoj shëmbëlltyrat e Babilonisë. Mbarë toka e saj do të turpërohet e tërë të therurit do të rrëzohen në mes të saj. Do të gëzohen për Babiloninë qielli e toka me gjithë ç'kanë, se shkatërrimtarët do të sulen kundër saj nga veriu, kumton Zoti. Edhe Babilonia do të bjerë prej të vrarëve të Izraelit, siç u vra bota mbarë për Babiloninë. Ju, që i keni shpëtuar shpatës, mos u ndalni! Kujtojeni prej larg Zotin e t'ju bjerë ndër mend Jerusalemi. Jemi turpëruar, se kemi dëgjuar tallje, turpi na e ka mbuluar fytyrën, se kanë hyrë të huajt në tempullin e Zotit. Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur unë do t'ia ndëshkoj shëmbëlltyrat e në mbarë tokën e saj do të rënkojnë të plagosurit. Edhe po të ngrihej Babilonia deri në qiell, edhe po ta përforconte majën e saj të fortë, prej meje do të vijnë shkatërrimtarë kundër saj, kumton Zoti. Një zë! Britmë nga Babilonia! Rrënim i madh nga dheu i kaldenjve! Se Zoti po e shkatërron Babiloninë, po e shuan bujën e saj të madhe. Oshtijnë dallgët e saj si ujërat e rrëmbyeshëm, i del kumbimi zërit të tij, se erdhi kundër saj, kundër Babilonisë, një shkatërrimtar, u kapën luftëtarët e saj, u copëtuan harqet e tyre, se Perëndia i hakmarrjes është Zoti, ai e jep shpërblimin e plotë. Do t'i deh prijësit e saj e të urtët, udhëheqësit, qeveritarët e luftëtarët, do të flenë gjumin e përhershëm pa zgjim, kumton mbreti, Zot i ushtrive është emri i tij. Kështu thotë Zoti i ushtrive: muret e gjera të Babilonisë do të shemben fare e portat e saj të larta do të digjen me zjarr. Popujt mundohen më kot dhe kombet lodhen vetëm për zjarr. Urdhri që profeti Jeremi i dha Serajahut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, kur shkoi në Babiloni me Sedekinë, mbretin e Judës, në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Serajahu ishte përgjegjësi i banesës. Jeremia i shkroi në një libër të gjitha zezonat që duhej të binin mbi Babiloninë. Të gjitha këto fjalë janë shkruar kundër Babilonisë. Pastaj Jeremia i tha Serajahut: «Kur të mbërrish në Babiloni, bëj kujdes e lexoji të gjitha këto fjalë e thuaj: o Zot, ti the për këtë vend se do ta zhbish, që të mos ketë banorë në të, as njerëz, as kafshë, por të jetë i rrënuar përgjithmonë. Pasi ta kesh përfunduar së lexuari këtë libër, lidhe me gur, hidhe në mes të Eufratit e thuaj: kështu do të mbytet Babilonia e nuk do të ngrihet më, për shkak të zezonës që unë po çoj kundër saj. E ata do të marrin fund». Deri këtu fjalët e Jeremisë. Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Hamitala dhe ishte bija e Jeremisë nga Libnahu. Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë Jehojakimi. Ishte Zoti që, nga zemërimi, i solli këto fatkeqësi mbi Jerusalem e mbi Judë, derisa i dëboi nga prania e tij. Edhe Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë. Në ditën e dhjetë të muajit të dhjetë të vitit të nëntë të mbretërimit të Sedekisë, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij për të sulmuar Jerusalemin, ngriti fushimin përballë qytetit dhe ngriti një mur rrethues rreth e rrotull tij. Qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Sedekisë. Ditën e nëntë të muajit të katërt uria u bë aq e rëndë në qytet saqë nuk kishte më ushqim për popullin. U hap një e çarë në qytet dhe të gjithë luftëtarët u arratisën e dolën nga qyteti natën, në drejtim të Arabahut, përmes portës që ndodhej mes dy mureve, pranë kopshtit të mbretit, ndërsa kaldenjtë e mbanin qytetin të rrethuar. Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën Sedekinë në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, në tokën e Hamatit, ku ai i shpalli vendimin. Mbreti i Babilonisë ia theri bijtë Sedekisë para syve. Ai theri edhe të gjithë prijësit e Judës në Riblah. Sedekisë i nxori sytë dhe e lidhi me vargonj. Mbreti i Babilonisë e mori në Babiloni dhe e mbajti në burg deri ditën kur vdiq. Në ditën e dhjetë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit, në Babiloni, Nebuzaradani, kryerojtari në shërbim të mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. Ai dogji tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. Mbarë ushtria e kaldenjve, bashkë me kryerojtarin, shkatërruan muret e Jerusalemit. Vegjëlinë dhe pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë, dhe zyrtarët e tjerë i shpërnguli në mërgim Nebuzaradani, kryerojtari. Nebuzaradani, kryerojtari, la disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi. Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e Zotit dhe tërë bronzin e çuan në Babiloni. Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kovat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat. Kryerojtari mori edhe govatat, mangallët, stërpikëset, kupëzat, shandanët, kusitë e gotat, të artat e të argjendtat. Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve të dy shtyllave të detit të vetëm, të dymbëdhjetë qeve prej bronzi, që ishin nën të, e të mbartësve që i kishte bërë mbreti Solomon për tempullin e Zotit, nuk mund të llogaritej. Njëra prej shtyllave ishte e lartë nëntë metra dhe duhej një fill gjashtë metra i gjatë për t'i matur gjerësinë. Trashësinë e kishte katër gisht, se brenda ishte golle. Sipër kishte një kokë prej bronzi dhe lartësia e kokës ishte dy metra e gjysmë. Përreth kokës kishte një rrjetë e disa shegë, gjithçka prej bronzi. Njësoj ishte edhe shtylla tjetër, bashkë me shegët. Shegët ishin nëntëdhjetë e gjashtë. Shegët përreth rrjetës ishin gjithsej njëqind. Kryerojtari mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e rendit të dytë, Sofoninë, dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, shtatë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në mes të qytetit. Nebuzaradani, kryerojtari, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet. Kjo është njerëzia që Nabukodonosori shpërnguli: në vitin e shtatë, tre mijë e njëzet e tre judenj; në vitin e tetëmbëdhjetë të Nabukodonosorit, nga Jerusalemi u shpërngulën tetëqind e tridhjetë e dy vetë; në vitin e njëzetetretë të Nabukodonosorit, Nebuzaradani, kryerojtari, shpërnguli shtatëqind e dyzet e pesë judenj. Gjithsej katër mijë e pesëqind vetë. Tridhjetë e shtatë vjet pas shpërnguljes së Jehojakinit, mbretit të Judës, në robëri, Evil Merodaku u bë mbret i Babilonisë. Në ditën e njëzetepestë të muajit të dymbëdhjetë, në fillim të mbretërimit të tij, e liroi Jehojakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu. Ai fliste me dashamirësi me Jehojakinin dhe i caktoi një fron më të lartë se mbretërve të tjerë që ishin me të në Babiloni. Jehojakini ndërroi rrobat e burgut dhe hëngri në një tryezë me mbretin deri në fund të jetës. Mbreti i Babilonisë i dha çdo ditë sasinë e caktuar të gjërave që i nevojiteshin deri ditën që vdiq. Ah, sa e vetmuar mbeti qyteza dikur shumë e populluar! Mbeti e ve madhështorja ndër kombe, princesha e krahinave u nënshtrua. Bërtet e qan gjatë natës me lot për faqe, nuk gjendet asnjë ngushëllues ndër të gjithë dashnorët e saj. E tradhtuan të gjithë miqtë e iu bënë armiq. U shpërngul Juda me pikëllim e skllavërim të rëndë. Zuri vend ndër kombe, por nuk gjen prehje. Të gjithë përndjekësit e kanë shkapërcyer nëpër ngushtica. Duke vajtuar janë udhët e Sionit, se nuk ka kush vjen për festa. Të gjitha portat i janë rrënuar, priftërinjtë i rënkojnë, vashat janë në zi, se i ra fat i hidhur. Hakërruesit e saj u bënë kryeprijës, armiqtë e saj janë të sigurt, se Zoti e pikëlloi prej shkeljeve të shumta, fëmijët iu bënë robër para armikut. Vezullimi iku i tëri prej bijës së Sionit. Prijësit i janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë. Ikin pa fuqi prej përndjekësve. Zë e kujton Jerusalemi, në ditët e pikëllimit e të përendjes, të gjitha begatitë e qëmoçme. Kur popullsia i ra në dorë armikut, pa i dalë zot askush, gërgasësit e panë e u zgërdhinë me shuarjen e tij. Hidhur mëkatoi Jerusalemi, prandaj u bë ndyrësirë. E përçmojnë ata që e nderonin, se ia panë lakuriqësinë. Edhe ai vetë rënkon e spërdridhet. Tërë papastërti e bëri tunikën pa u kujtuar për të ardhmen. U plandos me tmerr pa asnjë ngushëllim. «Shikoje, o Zot, pikëllimin tim, se armiku im u madhërua». Ja, gërgasësi e ka shtrirë dorën mbi të gjitha begatitë e tij. Pa kombet tek hynin në shenjtërore, ata që pate urdhëruar të mos hynin në bashkësinë tënde. Krejt popullsia e tij rënkon duke lypur bukë. Japin gjënë më të shtrenjtë për ushqim, që t'u kthehet fryma. Shiko, o Zot, e vërej sa jam poshtëruar. Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?! Vëreni e shikoni, nëse ka brengë si brenga ime, që më ra mua, që ma lëshoi Zoti, kur u ndez zemërimi i tij. Ma lëshoi zjarrin prej së larti, e ngërtheu në eshtrat e mia. Më hodhi rrjetën këmbëve, më ktheu përmbys. Më bëri të shkretë, leckë të përmuajshmesh përngaherë. Në zgjedhë m'u lidhën shkeljet, u thurën me dorën e tij. Më rëndojnë në qafë, më është mekur fuqia. Zoti më la në dorën e tyre e nuk mund t'u bëj ballë. Sojin e trimave të mi e e përmbysi Zoti mes meje. Ai më caktoi një kohë për të m'i shtypur të rinjtë. Në tork e shtrydhi Zoti virgjëreshën, bijën e Judës. Ajo është arsyeja pse qaj. Sytë më derdhin lot, se m'u largua ngushëlluesi, ai që ma përtërin shpirtin. Bijtë e mi u shkretuan, se armiku ngadhënjeu. Shtrin duart Sioni, por nuk ka ngushëllues për të. Zoti dha urdhër për Jakobin të rrethohej me armiq. Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre. Cenova fjalën e tij, prandaj i drejtë është Zoti. Dëgjomëni, o popuj të gjithë, shikojeni brengën time! Vashëzat e djelmoshat e mi shkuan në robëri. Kërkova dashnorët e mi, por më mashtruan. Priftërinjtë e pleqtë e mi në qytet u vranë, tek lypnin të hanin për të përtërirë frymën. Rënkimin tim shikoje, o Zot! M'u pështjelluan zorrët, më dridhet zemra në kraharor, se u tregova kryeneç. Përjashta është shpata shfarosëse, në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja. Shëmimin tim e dëgjojnë, por s'gjendet ngushëllues për mua. Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim, u gëzuan, se ti e ke shkaktuar. Sille ditën që pate shpallur e do të bëhen si unë. Të dalë para teje tërë ligësia e tyre, vepro me ta siç veprove me mua, për shkak të tërë shkeljeve të mia, se të shumta janë rënkimet e mia e po më lëshon zemra. Ah, Zoti e nxiu bijën e Sionit me zemërimin e vet. E plandosi nga qielli në tokë bukurinë e Izraelit. Nuk iu kujtua shtroja e këmbëve në ditën e zemërimit të vet. Banishtat e Jakobit i përpiu Zoti, të tëra pa mëshirë. I shkatërroi me zemërim fortesat e bijës së Judës, shembi përtokë e fëlliqi mbretërinë e krerët e saj. Goditi me furinë e zemërimit të vet fuqinë e Izraelit. E rrudhi të djathtën e vet përballë armikut, ndezi te Jakobi diçka si zjarr flakërues, që përpin rreth e rrotull. Dora e djathtë e tij porsi ngucësi, si armiku e ndehu harkun. Ata që na i kënaqnin sytë, i vrau në tendën e bijës së Sionit. E zbrazi tërbimin porsi zjarr. Hasëm u duk se u bë Zoti, e përpiu Izraelin, ia përpiu të gjitha ndërtesat, ia rrënoi fortesat, shtoi vajtimin e ankimin te bija e Judës. Vathën ia dhunoi, sikurse kopshtin, ia rrënoi vendtakimin. Zoti e fshiu në Sion festën e të shtunën, poshtëroi mbretin e priftin me zemërim të furishëm. Zoti e braktisi altarin e vet, hoqi dorë nga shenjtërorja e vet, i la në dorë të armiqve muret e godinave së saj. Në tempullin e Zotit dhanë kushtrimin si në ditën e festës. Hollësisht e mendoi Zoti rrënimin e mureve të bijës së Sionit: e mati me pe e s'hoqi dorë nga rrënimi. Bëri të vajtueshëm ledhin e murin, njëherësh ata u shembën. Toka i përpiu dyert e saj, shulat ia shkatërroi e ia copëtoi. Mbreti i saj dhe princat mbetën ndër kombe, nuk kanë më udhëzime, deri edhe profetët s'kanë ku të gjejnë asnjë vegim prej Zotit. Janë ulur përtokë të heshtur pleqtë e bijës së Sionit. Kanë mbuluar kokën me pluhur e janë veshur me grathore. Kanë ulur kryet përtokë vashat e Jerusalemit. Kroi i lotëve m'i shteroi sytë, m'u pështjelluan zorrët, mëlçia m'u zbraz përtokë prej thyerjes së bijës së popullit tim, se u mekën foshnja e ferishtja në sheshin e qytetit. Nënave të veta u thoshin: «Ku është drithi? Po vera?», tek flashkeshin si të lënduar nëpër sheshet e qytetit e jepnin shpirt në prehrin e nënave. Me çfarë të të krahasoj? Me çfarë përngjan, o bijë e Jerusalemit? Me çfarë të të përafroj për të të ngushëlluar, o vashë, bijë e Sionit? Se i madh sa deti është rrënimi yt, prandaj kush mund të të shërojë? Ngatërrueshëm e mashtrueshëm veguan për ty profetët e tu. Nuk e zbuluan fajësinë tënde, që të ta kthenin begatinë, por panë për ty kumte të rreme e mashtruese. Sëra e kalimtarëve përplas duart për ty, fërshëllejnë e tundin kokën për bijën e Jerusalemit: pse, ky është qyteti për të cilin thoshin: «Bukuria e përsosur, ngazëllimi i mbarë dheut!»? Fërshëllejnë e kërcëllijnë dhëmbët, hapin gojën kundër teje armiqtë e tu e thonë: «E përlamë! Këtë ditë prisnim, ia arritëm dhe e pamë!». Atë që e kishte vendosur, e bëri Zoti, e mbajti fjalën e vet që e kishte dhënë si urdhër kaherë. Rrënoi pa mëshirë, e gëzoi armikun, ngasësit i dha fuqi. Curril le të derdhen lotët ditë e natë, le ta thërrasë Zotin zemra jote, o muri i bijës së Sionit. Mos pusho e të mos prehet bebja e syrit tënd. Këndellu, klith natën, natën kur fillon ndërresa, zbraze zemrën si ujë para fytyrës së Zotit. Ngriji duart drejt tij që të marrin frymë fëmijët e tu, ata që i mundon uria në krye të çdo rruge. Ruajna, o Zot, e shiko! Me kë u solle kështu? A duhet të përpijnë gratë pjellën e vet, fëmijët plot shëndet? A duhet të vriten në shenjtëroren e Zotit priftërinjtë e profetët? Shtrihen përtokë rrugëve të rinj e pleq, vashat e djelmoshat i këputi shpata. Vrave ditën e zemërimit tënd, there pa mëshirë. Ti i mblodhe tmerruesit e mi përreth si për festë. Në ditën e zemërimit të Zotit askush nuk mbeti gjallë. Ata që kisha lindur e mëkuar armiku i shfarosi. Njeriu që e pa mjerimin, jam unë, nën shkopin e zemërimit të tij. Ai më shtyu e më endi në errësirën pa dritë. Ai e ktheu dorën e tij gjithmonë veç kundër meje. Blojë m'i bëri eshtrat, më shkretoi mish e lëkurë. Bëri ledhe kundër meje, helm e stërmundim. Brenda errësirës më vendosi, si të vdekurit e kahershëm. Gardh ngriti rreth meje e dot nuk dal, më hodhi vargonj të rëndë. Gërthas e kërkoj ndihmë, por prapë ma hedh poshtë lutjen. Gurë të latuar vuri për të m'i mbyllur rrugët, shtigjet m'i dredhoi. Doli kundër meje si ariu në pritë, si luan i fshehur. Drejtimin ma humbi, më shqeu e më shkretoi. Drejtoi harkun e vet e më bëri shënjestër për shigjetë. Hodhi kundër veshkave të mia shigjetat e kukurës së vet. Habia e popullit tim u bëra, këngë qesëndie për ta tërë kohën. Hidhërime më dha sa u ngiva, më dehu me pelin. Varrë m'i bëri dhëmbët me gurë, me shtiu në hi. Vërtiti larg paqen nga shpirti im, e kam harruar mirësinë. «Venitet pritshmëria ime», thashë, «Ardhmëria që do të vinte prej Zotit ». Zë e kujtoj pikëllimin dhe endjen time, si të ishin pelin e helm. Zaliset shpirti im, kur kujton e kujton. Ziejnë në zemrën time këto gjëra, prandaj kam shpresë: «Hiri i mirësisë së Zotit nuk shterohet, s'ka fund mëshira e tij. Herët në mëngjes përtërihen, e madhe është besnikëria e tij. “Hisja ime është Zoti ”, thotë shpirti im, “Prandaj edhe shpresoj në të”». Tregohet i mirë Zoti për ata që shpresojnë në të, për ata që e kërkojnë me shpirt. Të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit është gjë e mirë. Të mbartë zgjedhën që në rini është gjë e mirë për një burrë. Jetën ta kalojë i vetmuar e i heshtur ai që Zoti e ka rënduar. Ja, ta ulë fytyrën gjer në pluhur, se mbase ka shpresë. Ja, t'ia kthejë faqen ndëshkuesit, të dendet me poshtërime. Kurrë Zoti nuk përjashton përgjithmonë. Ka mëshirë sipas mirësisë së tij të madhe edhe nëse ndëshkon. Kurrë nuk e çon pikëllimin me gjithë zemër, as i poshtëron njerëzit. Le të shtypen me këmbë të gjithë të burgosurit e tokës, le t'i shtrembërohet e drejta njeriut para të Tejlartit, le t'i përmbyset çështja njeriut, a nuk shikon Zoti? Mos dikush flet e ajo gjë bëhet pa e urdhëruar Zoti? Mirësitë e ligësitë a nuk dalin prej gojës së të Tejlartit? Mos të ankohet asnjë njeri i gjallë pse i ndëshkohen mëkatet. Ne duhet t'i shqyrtojmë sjelljet tona, t'i peshojmë e të kthehemi te Zoti. Kah Perëndia në qiell t'i ngremë zemrat e duart. Ne bëmë shkelje e kryeneçësi, ti nuk e dhe faljen. S'na përdëlleve, por na vrave, na përndoqe i mbështjellë me zemërim. Sajove një re rreth teje që nuk e shpon as lutja. Stërvinë e mbeturinë na bëre në mes të popujve. Fshajnë me gojë kundër nesh të gjithë armiqtë tanë. Frika e gropa na zunë, rrënimi e dërrmimi. Furi lotësh më rrjedhin nga sytë për thyerjen e bijës së popullit tim. Ajohen sytë e mi pa ndalur, se nuk ka pushim, aq kohë sa Zoti të mos këqyrë e të shikojë nga qielli. Angështohet shpirti im kur shoh me sy bijat e qytetit tim. Cytësit e mi pa shkak më gjuajnë siç gjuhet shpendi. Copë ma bënë jetën, më mbytën në pus, më gjuajtën me gurë. Currila uji më vërshuan mbi kokë e thashë: «Mbarova!». Kërkova emrin tënd, o Zot, nga thellësitë e honit. Klithmën time e dëgjove: «Mos i mbyll veshët ndaj psherëtimës e britmës sime». Kur të thirra, ti u afrove e the: «Mos ki frikë!». Rastin tim, o Zot, ti e mbrojte, ma shpagove jetën. Rrengun që më bënë e pe, o Zot: gjykoje çështjen time! Ra në sytë e tu tërë hakmarrja e tyre, tërë shestimet e tyre kundër meje. Sharjen e tyre e dëgjove, o Zot, dhe tërë shestimet e tyre kundër meje. Shfrejnë kundër meje gjithë ditën buzët e kundërshtarëve të mi. Shikoi kur ulen e kur ngrihen, unë jam shpotia e tyre. Ti jepua shpërblimin, o Zot, sipas veprave të duarve të tyre. Topitua zemrën, lëshoju mallkimin. Tërë zemërim përndiqi e rrënoji nën qiellin e Zotit. Ari u zymtua, u tjetërsua ari i pastër. U përhapën gurët e shenjtë në krye të çdo rruge. Bijtë e çmuar të Sionit, që peshohen me ar, seç i panë si enë balte, vepër e duarve të poçarit! Gati janë edhe çakejtë t'u japin gji e t'i mëkojnë të vegjlit e vet, por bija e popullit tim u egërsua si struci në shkretëtirë. Deri edhe foshnjës prej etjes i ngjitet gjuha pas qiellze. Fëmijët lypin bukë, por s'ka kush t'ua japë. Humbin udhës ata që hanin mirë. Ata që visheshin me purpur rrëmojnë në mbeturina. Vërtet u shtua faji i bijës së popullit tim, më shumë se mëkati i Sodomës, që u përmbys njëherësh pa i vënë dorë askush. Zotërinjtë e saj shkëlqenin më shumë se bora, ishin më të bardhë se qumështi, e kishin trupin më të kuq se koralet, pamjen si të safirit. Hijen e kanë më të zezë se thëngjillin, nuk njihen rrugës. U është ngjitur lëkura në eshtra, u është tharë si druri. Të therurit prej shpatës janë më mirë se të vdekurit nga uria që fishken se u mungojnë prodhimet e tokës. Janë bërë ushqim për ta, kur u rrënua bija e popullit tim, fëmijët që gratë e dhimbshme me duart e veta i gatuan. Krejt zemërimin e vet e zbrazi Zoti, e derdhi furinë e vet. I vuri zjarrin Sionit, e përpiu me themel. Lehtë nuk e besojnë mbretërit e tokës as banorët e botës, se ngucësi e armiku i kapërcyen portat e Jerusalemit, me mëkatet e profetëve e me ligësitë e priftërinjve që derdhën mes tij gjak të pafajshëm. Ngarendnin udhëve verbërisht, fëlliqur me gjak, aq sa as petkat nuk ua preknin dot. «Sprapsuni! Ndyrësi!», u bërtitnin. «Sprapsuni! Sprapsuni! Mos prekni!». Prandaj, ikën e u endën, aq sa ndër kombe thanë: «Nuk duhet të qëndrojnë më gjatë!». Fytyra e Zotit i përzuri, ai nuk ua hedh më sytë, priftërinjtë nuk u nderuan, pleqtë nuk u përfillën. Amullia i zuri sytë tanë, duke këqyrur më kot për ndihmë. Këqyrnim për ndonjë komb që s'na shpëtonte dot. Cytnin hapat tanë, që të mos ecnim shesheve tona. Na u afrua fundi! Na u sosën ditët, se na erdhi fundi. Këmbëshpejtë ishin përndjekësit tanë, më të shpejtë se shqiponjat në qiell. Nëpër male na ndoqën, pritë na vunë në shkretëtirë. Ra në gropat e tyre i vajosuri i Zotit, ai që na mbushte me frymë, ai për të cilin thoshim: «Nën hijen e tij do të jetojmë ndër kombe». Sa jetojnë në tokën e Ucit, të gëzojnë e të ngazëllejnë me bijën e Edomit, por kupa do të kalojë edhe nga ti, do të dehesh e do të dalësh cullak. T'u shlye dënimi, bija e Sionit, ai nuk do ta zgjasë mërgimin tënd, por do ta ndëshkojë fajësinë tënde, o bijë e Edomit, do t'i zbulojë mëkatet e tua. Kujtohu, o Zot, për çfarë na gjeti, shikoje e vëreje poshtërimin tonë. Trashëgimia jonë u kaloi të huajve, shtëpitë tona të panjohurve. U bëmë jetimë pa atë, nënat tona si të veja. Për ujin na duhen para, edhe drutë e kanë një çmim. Na kanë rënë në qafë, u zalisëm e nuk gjejmë prehje. I shtrijmë dorën Egjiptit e Asirisë për t'u nginjur me bukë. Etërit tanë mëkatuan e nuk janë më, por fajin e tyre e mbartim ne. Skllevërit na sundojnë, s'ka kush na shpëton prej dorës së tyre. Luajmë me jetën për bukë përballë shpatës së shkretëtirës. Furrë na u bë lëkura nga zhegu i urisë. Gratë u dhunuan në Sion, vashat në qytetet e Judës. Princat i varën me duart e veta, pleqtë nuk i nderojnë. Të rinjtë mbartin mokrën, djelmoshat luhaten nën barrën e druve. Pleqtë nuk dalin te portat, rinia e la muzikën. Zemrës sonë iu shua gëzimi, vallja na u kthye në zi. Kurora na ra nga koka, mjerë ne, se mëkatuam. Prandaj na u mek zemra, prandaj na u errën sytë, se u shkretua mali i Sionit, dhelprat enden nëpër të. Por ti, o Zot, mbetesh përgjithmonë, froni yt, brez pas brezi. Pse na harrove fare? A do të na braktisësh gjatë? Na kthe te ti, o Zot, e ne do të kthehemi, përtëriji ditët tona si dikur. Mos na ke dëbuar përgjithmonë dhe je tejet i zemëruar me ne? Në vitin e tridhjetë në muajin e katërt në ditën e pestë të muajit, kur unë isha në mes të të shpërngulurve, buzë lumit Kebar, u hap qielli dhe pashë disa vegime hyjnore. Më pesë të atij muaji, në vitin e pestë të shpërnguljes së mbretit Jojakin, fjala e Zotit iu drejtua priftit Ezekiel, birit të Buzit, në tokën e kaldenjve, buzë lumit Kebar. Atje dora e Zotit ishte mbi të. Pashë dhe, ja, një erë e stuhishme vinte nga veriu, një re e madhe, një zjarr me shkëlqim vezullues përreth, dhe në mes të zjarrit diçka me pamje shkëlqimplotë. Nga mesi i saj, shëmbëllimi i katër gjallesave. Kjo ishte pamja e tyre: kishin dukje njerëzore. Secili kishte katër fytyra e katër krahë. Këmbët i kishin të drejta, me shputat e këmbëve si shputat e këmbëve të viçit, vezulluese si bronzi i lëmuar. Nën krahë, në të katër anët, kishin duar njeriu. Të katërt kishin fytyrat dhe krahët e vet. Krahët u cekeshin me njëri-tjetrin. Kur ecnin, asnjëri nuk kthehej, por ecnin pa e kthyer shikimin. Shëmbëllimi i fytyrave të tyre ishte si fytyrë njeriu. Të katërt kishin në të djathtë nga një fytyrë luani e në të majtë nga një fytyrë demi. Të katërt kishin edhe nga një fytyrë shqiponje. Kaq për fytyrat. Krahët i kishin të hapur së larti. Secili kishte dy krahë që cekeshin dhe dy që mbulonin trupin. Secili ecte drejt para vetes. Shkonin ku i çonte shpirti. Ecnin dhe, kur ecnin, nuk ktheheshin. Shëmbëllenin me gjallesa. Pamjen e kishin si thëngjij zjarri të përflakur, si pamje pishtarësh. Mes gjallesave kishte ecejake. Zjarri ishte shkëlqimplotë e prej zjarrit dilte vetëtimë. Gjallesat dilnin e hynin si vetëtima. Po i shikoja gjallesat dhe, ja, përbri gjallesave, kishte nga një rrotë përtokë për të katra fytyrat e tyre. Pamja e rrotave dhe përbërja e tyre kishin një si vezullimë topazi. Të katra kishin të njëjtin shëmbëllim dhe kjo ishte pamja e tyre: si të ishte ngërthyer një rrotë brenda një rrote tjetër. Kur lëviznin, lëviznin në të katër drejtimet. Nuk ktheheshin kur lëviznin. Rrathët i kishin të mëdhenj e të frikshëm dhe rrathët e të katrave ishin plot me sy rreth e rrotull. Kur gjallesat lëviznin, edhe rrotat lëviznin bri tyre. Kur gjallesat ngriheshin nga toka, edhe rrotat ngriheshin. Ngado donte të shkonte shpirti, në atë drejtim lëviznin edhe ato. Rrotat ngriheshin pranë tyre, se shpirti i gjallesave ishte brenda rrotave. Kur ata lëviznin, edhe ato lëviznin. Kur ata ndalonin, edhe ato ndalonin. Kur ata ngriheshin, edhe ato ngriheshin, se shpirti i gjallesave ishte brenda rrotave. Sipër kokave të gjallesave shtrihej një kube që dukej si kristal shkëlqimplotë. Nën ndarje shtriheshin krahët e tyre të drejtë, drejt njëri-tjetrit, ndërsa dy krahët e tjerë u mbulonin trupin. Kur lëviznin, dëgjoja ushtimën e krahëve, e ngjashme me ushtimën e ujërave të rrëmbyeshëm, si zëri i të gjithëpushtetshmit, si gjëmimi i stuhisë, si gumëzhima e fushimit. Kur ndaleshin, i shkrehnin krahët. Pastaj u dëgjua një zë prej përtej kubesë që ishte mbi kokën e tyre. Kur ndaleshin, i shkrehnin krahët. Përmbi kubenë që ishte sipër kokave të tyre, shfaqej një si gur safiri, me shëmbëllimin e një froni dhe, mbi këtë shëmbëllim froni, prej së larti, një shëmbëllim me pamje njeriu. Pastaj pashë, prej pamjes nga brezi i tij e sipër, diçka si shkëlqimplotë, me pamjen si të një zjarri që e mbështillte përreth, ndërsa prej pamjes nga brezi i tij e poshtë, pashë një si pamje zjarri e shkëlqimi rreth tij. Si pamja e ylberit mbi re në një ditë shiu, ashtu ishte pamja e shkëlqimit përreth. Ajo ishte shfaqja e shëmbëllimit të lavdisë së Zotit. Pashë, rashë me fytyrë përdhe dhe dëgjova një zë që fliste. Ai më tha: «Bir njeriu, qëndro më këmbë e unë do të flas me ty». Pasi më foli, në mua hyri një shpirt e më ngriti më këmbë, ndërsa unë dëgjoja atë që po më fliste. E më tha: «Bir njeriu, unë po të dërgoj te bijtë e Izraelit, te një komb kryeneçësh që ngritën krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre bënë shkelje kundër meje deri sot. Janë bij fytyrëngrysur e zemërgur ata te të cilët po të dërgoj, por ti do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti im, Zoti ”, si në të dëgjofshin, si në mos të dëgjofshin, sepse janë fis kryeneç, por do ta marrin vesh se unë jam në mesin e tyre. Ti, bir njeriu, mos ki frikë prej tyre, as prej fjalëve të tyre mos ki frikë, edhe pse do të kesh të bësh me hithra e gjemba e do të banosh me akrepa. Mos ki frikë prej fjalëve të tyre e prej pamjes së tyre mos u tremb, sepse janë fis kryeneç. Ti thuaju fjalët e mia, si në të dëgjofshin, si në mos të dëgjofshin, pasi janë fis kryeneç. Bir njeriu, dëgjo çfarë po të them unë e mos u bëj kryeneç, porsi ky fis kryeneç. Hap gojën e ha çfarë të jap unë». Unë pashë dhe, ja, drejt meje ishte shtrirë një dorë me një rrotull libri. E shpalosi para meje. Ishte shkruar në të dyja anët. Ishin shkruar në të ankime, vajtim e mjerim. Pastaj më tha: «Bir njeriu, ha çfarë të gjesh, haje këtë rrotull dhe shko e foli shtëpisë së Izraelit». Atëherë hapa gojën e ai më dha të haja atë rrotull. Pastaj më tha: «Bir njeriu, ushqeje barkun me këtë rrotull që unë po të jap e mbushi zorrët». Unë e hëngra dhe në gojë m'u bë e ëmbël porsi mjalti. Pastaj më tha: «Bir njeriu, shko te shtëpia e Izraelit e folu me fjalët e mia, se nuk u dërgove te një popull fjalëhollë e gjuhërëndë, por te shtëpia e Izraelit e jo te popujt e shumtë fjalëhollë e gjuhërëndë, fjalët e të cilëve nuk mund t'i kuptosh. Po të të kisha dërguar tek ata, do të të kishin dëgjuar, por shtëpia e Izraelit nuk dëshiron të të dëgjojë, se ata nuk dëshirojnë të më dëgjojnë mua, sepse mbarë shtëpia e Izraelit e ka ballin të ashpër e zemrën të ngurtë. Ja, unë po ta bëj fytyrën të ashpër, si fytyrat e tyre, dhe ballin të ashpër, si ballin e tyre. Si diamantin, më të fortë se strallin e bëra ballin tënd. Mos ki frikë prej tyre e mos u tremb prej tyre, se janë fis kryeneç». Pastaj më tha: «Bir njeriu, të gjitha fjalët që po t'i them, merri për zemër e vëru vesh. Shko te të shpërngulurit, te bijtë e popullit tënd, e folu. Thuaju: “Kështu thotë Zoti im, Zoti ”, si në të dëgjofshin, si në mos të dëgjofshin». Atëherë një shpirt më ngriti dhe dëgjova mbrapa meje ushtimën e një dridhjeje të fortë: «Bekuar qoftë lavdia e Zotit atje ku e ka vendin!». Ishte ushtima e krahëve të gjallesave që përplaseshin me njëri-tjetrin, ushtima e rrotave pranë tyre dhe ushtima e dridhjes së madhe. Një shpirt më ngriti e më rrëmbeu. Unë shkova i hidhëruar e me shpirt të zemëruar, se dora e Zotit u bë e ashpër mbi mua. Mbërrita te të shpërngulurit e Telavivit që banojnë pranë lumit Kebar, ku janë ngulur, dhe ndenja aty shtatë ditë i trullosur mes tyre. Pas shtatë ditësh, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, të kam caktuar rojtar për shtëpinë e Izraelit. Sapo të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t'i paralajmërosh nga ana ime. Nëse i them të paudhit: “Do të vdesësh”, por ti nuk e paralajmëron e nuk flet, që ta paralajmërosh të paudhin e ai të heqë dorë prej sjelljeve të veta të paudha e të jetojë, ai, i paudhi, do të vdesë për shkak të ligësisë së vet, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. Por, nëse ti e paralajmëron të paudhin e ai nuk kthehet prej paudhësisë së vet e prej sjelljeve të veta të paudha, ai do të vdesë për shkak të ligësisë së vet e ti do të shpëtosh veten. Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, unë do t'i vë para një pengesë e ai do të vdesë. Nëse ti nuk e ke lajmëruar, ai do të vdesë për shkak të mëkatit të vet e nuk do të kujtohen veprat e drejta që pati bërë, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. Por, nëse ti e paralajmëron të drejtin, që të mos mëkatojë, e ai nuk mëkaton, ai do të jetojë, se ishte paralajmëruar, e ti do të shpëtosh veten». Atje dora e Zotit ishte mbi mua e ai më tha: «Çohu e dil në luginë, se atje do të të flas». U çova e dola në luginë dhe, ja, aty qëndronte lavdia e Zotit, si lavdia që kisha parë buzë lumit Kebar, e rashë me fytyrë përtokë. Atëherë hyri në mua një shpirt e më ngriti më këmbë. Pastaj më foli e më tha: «Shko e mbyllu brenda në shtëpi. E ty, o bir i njeriut, ja, do të të hedhin përsipër litarët e do të të lidhin me to, që të mos dalësh mes tyre. Do të ta ngjis gjuhën për qiellzë e do të mbetesh memec dhe nuk do të jesh më për ta ai që i qorton, se janë fis kryeneç. Por, kur do të flas me ty, do të ta hap gojën e ti do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti im, Zoti ”. Kush do të dëgjojë, të dëgjojë, kush nuk do, të mos dojë, sepse janë fis kryeneç». «E ti, bir njeriu, merr një tullë, vëre para vetes dhe gdhend në të qytetin e Jerusalemit. Vër rrethimin kundër tij, ndërto një ledh kundër tij e ngri prita kundër tij. Rreshto fushimet kundër tij e vëri desh përreth. Pastaj merr një pllakë hekuri dhe vendose si mur hekuri ndërmjet teje dhe qytetit. Ktheje shikimin drejt tij e ai do të jetë i rrethuar. Vëri rrethimin e le të jetë kjo një shenjë për shtëpinë e Izraelit. Pastaj shtrihu në brinjën e majtë dhe vendos mbi të ligësinë e shtëpisë së Izraelit. Për sa ditë të rrish shtrirë në të, do ta mbartësh ligësinë e tyre. Unë po të caktoj kohën e ligësisë së tyre: për treqind e nëntëdhjetë ditë do ta mbartësh ligësinë e shtëpisë së Izraelit. Pasi t'i kryesh këto, do të shtrihesh për së dyti në brinjën e djathë e do të mbartësh ligësinë e shtëpisë së Judës për dyzet ditë. Po të caktoj nga një ditë për çdo vit. Ktheje shikimin drejt rrethimit të Jerusalemit, mbaje krahun të përveshur e profetizo kundër tij. Dhe, ja, do të hedh mbi ty litarët, që të mos kthehesh as nga njëra anë, as nga tjetra, derisa t'i sosësh ditët e rrethimit tënd. Merr grurë, elb, bathë, thjerrëza, mel e thekër, vëri në një enë, bëj bukë me to për vete dhe haje gjatë ditëve që do të rrish shtrirë në brinjë, treqind e nëntëdhjetë ditë. Bukën që do të hash, do ta hash me masë, çdo ditë nga dyqind e tetëdhjetë gramë në ditë. Edhe ujin do ta pish me masë. Do të pish çdo ditë nga një litër. Bukën do ta hash si kulaç elbi, pasi ta kesh pjekur para tyre mbi grumbuj jashtëqitjesh njerëzore». Pastaj Zoti më tha: «Ashtu do ta hanë bijtë e Izraelit bukën e tyre të papastër mes kombeve ku do t'i shpërndaj». Atëherë unë i thashë: «Ah, Zoti im, o Zot, ja, unë nuk jam ndyrë kurrë dhe që nga rinia ime e deri më tani nuk kam ngrënë cofëtina, as kam vënë në gojë mish të papastër». E ai më tha: «Shiko, në vend të jashtëqitjes njerëzore, po të jap bajga gjedhësh, që ta pjekësh mbi to bukën tënde». Pastaj më tha: «Bir njeriu, ja, po ia thyej Jerusalemit enën e bukës. Do të hanë bukë me masë e me ankth dhe do të pinë ujë me masë e me tmerr, që, nga mungesa e bukës dhe ujit, të tmerrohen me njëri-tjetrin e të qelben në ligësinë e vet». «E ti, bir njeriu, merr një shpatë të mprehtë, përdore si brisk rroje dhe rruaj flokët e mjekrën. Pastaj merr një peshore dhe ndaji në disa pjesë. Një të tretën digje në zjarr, në mes të qytetit, si të kenë kaluar ditët e rrethimit. Një të tretën tjetër merre e prite me shpatë rreth qytetit. Një të tretën tjetër përhape në erë e unë do të zhvesh shpatën kundër tyre. Por ti merr një numër të vogël prej tyre dhe lidhi në kindat e tua. Merr edhe pak përsëri, hidhi në mes të zjarrit e digji me zjarr. Prej aty do të dalë zjarr kundër tërë shtëpisë së Izraelit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: ky është Jerusalemi. Unë e kisha vendosur në mes të kombeve, rrethuar me vende të tjera. Ai ngriti krye kundër vendimeve të mia më keq se kombet dhe kundër rregullave të mia më shumë se vendet që e rrethonin, se i hodhën tej vendimet e mia dhe nuk ecën sipas rregullave të mia. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: kundërshtimi juaj ishte më i fortë se ai i kombeve përreth jush dhe, pasi nuk ecët sipas rregullave të mia e nuk i zbatuat vendimet e mia, as vepruat sipas vendimeve të kombeve përreth jush, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, edhe unë jam kundër teje e do të bëj gjyq mes teje faqe kombeve. Për shkak të të gjitha pështirësive të tua do të bëj në ty çka nuk kisha bërë më parë e çka nuk do të bëj më. Prandaj etërit do të hanë bijtë në mesin tënd dhe bijtë do të hanë etërit e vet. Do t'i zbatoj gjykimet e mia kundër teje dhe do t'i shpërndaj tepricat e tua në të katër erërat. Prandaj, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, meqë e përdhose shenjtëroren time me të gjitha fëlliqësitë e tua e me të gjitha pështirësitë e tua, edhe unë do të të rruaj. Syri im nuk do të ketë mëshirë e unë nuk do të kem dhembshuri. Një e treta e jote do të vdesë prej murtajës e do të marrë fund prej urisë në mesin tënd. Një e treta do të bjerë prej shpatës rreth teje dhe një e treta do të shpërndahet në të katër erërat e unë do të zhvesh shpatën kundër tyre. Do ta zbraz fare zemërimin tim, do ta shuaj hidhërimin tim mbi ta e do të qetësohem. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, se për shkak të zellit fola dhe e zbraza gjer në fund hidhërimin tim kundër tyre. Do të të kthej në shkretim dhe në tallje në mes të kombeve përreth, në sytë e të gjithë kalimtarëve. Do të jesh shpoti, qesëndi e tmerr për kombet që të rrethojnë, kur të zbatoj në ty gjykimet me zemërim, me hidhërim e me qortime të tërbuara. Unë, Zoti, kam folur. Kur të gjuaj kundër tyre shigjetat e liga të zisë së bukës, të cilat do të jenë shkatërrim e që do t'i çoj për t'ju shkatërruar, do ta shtoj zinë e bukës kundër jush e do t'jua thyej enën e bukës. Do të dërgoj kundër jush zinë e bukës dhe shtazët e egra që do të të lënë pa fëmijë. Murtaja e gjaku do të kalojnë mbi ty dhe do ta vringëlloj shpatën kundër teje. Unë, Zoti, kam folur». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir njeriu, ktheji sytë drejt maleve të Izraelit, profetizo kundër tyre e thuaj: o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit tim, Zotit! Kështu u thotë Zoti im, Zoti, maleve e kodrave, grykave e luginave: ja, do të dërgoj shpatën kundër jush e do t'i shemb faltoret tuaja në vende të larta. Altarët tuaj do të shkatërrohen, altarët e temjanit do të shkërmoqen e të therurit tuaj do t'ua hedh idhujve tuaj. Do t'i hedh kufomat e bijve të Izraelit para idhujve të tyre e do t'jua shpërndaj eshtrat rreth altarëve tuaj. Në të gjitha vendbanimet tuaja qytetet do të rrënohen dhe faltoret në vende të larta do të shkretohen, që të rrënohen e të prishen altarët tuaj, të shkërmoqen e të marrin fund idhujt tuaj, që të copëtohen altarët tuaj të temjanit e të zhduken zejet tuaja. Të therurit do të bien në mesin tuaj e ju do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Por do ta lë një tepricë tuajën. Ata do t'i shpëtojnë shpatës ndër kombe, kur t'ju shpërndaj ndër vende. Atëherë, të shpëtuarit tuaj do të kujtohen për mua ndër kombet ku janë shpërngulur, sesi u lëndova për shkak të tradhtisë së zemrës së tyre që u largua nga unë dhe të syve të tyre që kurvëruan me idhujt. Do t'u vijë zor nga vetja për ligësitë që bënë e për të gjitha pështirësitë. Do ta marrin vesh se unë jam Zoti e nuk kam thënë kot se do t'ua bëj këtë të zezë. Kështu thotë Zoti im, Zoti: përplas duar e këmbë e thuaj: vaj për të gjitha pështirësitë e liga të shtëpisë së Izraelit, se do të bien prej shpatës, prej zisë së bukës e prej murtajës. Kush është larg do të vdesë prej murtajës. Kush është afër, prej shpatës do të bjerë. Kush ka mbetur e ka shpëtuar, prej zisë së bukës do të vdesë. E unë do ta shteroj zemërimin tim kundër tyre. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti, kur të therurit e tyre do të jenë mes idhujve përreth altarëve të tyre, në çdo kodër të lartë, në të gjitha majat e maleve, nën çdo pemë të bleruar, nën çdo lis plot gjethe, kudo t'u kushtojnë erë të këndshme tërë idhujve të tyre. Do ta shtrij dorën kundër tyre e do ta kthej vendin në rrënim e shkretim, që nga shkretëtira e gjer në Diblah, ku kanë vendbanimet. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut: kështu i thotë Zoti im, Zoti, tokës së Izraelit. Më në fund po u vjen fundi të katër skajeve të dheut. Tani që po të vjen fundi, do të hedh kundër teje zemërimin tim, do të të gjykoj sipas veprave të tua e do të të shpërblej sipas të gjitha pështirësive të tua. Syri im nuk do të ketë mëshirë për ty e nuk do të kem dhembshuri, por do të të ndëshkoj për sjelljet e tua e do të t'i kthej pështirësitë e tua, që ta merrni vesh se unë jam Zoti. Kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po vjen një zezonë pas tjetrës. Fundi po vjen. Po vjen fundi. U zgjua kundër teje. Ja, po vjen. Po të vjen radha, o banor i dheut. Po vjen koha, po afrohet dita. Dita e trazirës dhe jo e britmës së haresë nëpër male. Tani, së shpejti, do ta zbraz mbi ty hidhërimin tim e mbi ty do ta shteroj zemërimin tim. Do të të gjykoj sipas sjelljeve të tua e do të të shpërblej sipas të gjitha pështirësive të tua. Nuk do të ketë mëshirë për ty syri im dhe nuk do të kem dhembshuri, por do të të shpërblej sipas sjelljeve të tua e do të t'i kthej pështirësitë e tua. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti, ai që godet. Ja dita! Ja, po vjen. Po vjen fatkeqësia jote, lulëzoi shkopi, buloi mburrja, dhuna u ngrit e u bë shkop padrejtësie. Askush nuk do të mbetet prej tyre, as begatia, as pasuria e tyre. Ndër ta nuk do të spikatë asnjë. Erdhi koha, mbërriti dita. Kush ka blerë, të mos gëzohet. As shitësi të mos qahet, se mbi mbarë turmën e tyre po bie zemërimi. Se shitësi nuk do të kthehet te çfarë ka shitur, sa të jenë gjallë, e vegimi kundër të gjithë begatisë nuk do të kthehet pas. Për shkak të ligësisë së vet, askush nuk do të mbahet në jetë. I kanë rënë borisë dhe gjithçka është gati, por askush nuk shkon në betejë, sepse mëria ime është kundër të gjithë turmës. Shpata, përjashta e zia e bukës, përbrenda. Kush gjendet në arë, do të vdesë prej shpatës. Zia e bukës e uria do të përpijnë kë gjendet në qytet. Të ikurit e tyre do të shkojnë nëpër male, si pëllumbat e luginave, të gjithë duke rënkuar, për shkak të ligësisë së vet. Të gjitha duart do të meken e të gjithë gjunjët do të bëhen ujë. Do të vishen me grathore e do t'i mbulojë drithërima. Turpi do të gjendet mbi çdo fytyrë e mbi çdo kokë do të vihet brisku. Do ta hedhin argjendin nëpër rrugë dhe ari i tyre do të fëlliqet. Argjendi e ari nuk do t'i shpëtojnë dot në ditën e hidhërimit të Zotit. Nuk do ta shuajnë urinë e nuk do t'i mbushin zorrët, se do t'u bëhet pengesë ligësia e vet. Bukurinë e stolive të veta e kthyen në mburrje dhe bënë me to shtatoret e neveritshme e pështirësitë, prandaj do t'ua kthej në fëlliqësirë. Do t'ua jap të huajve për plaçkë, do të bëhen pre e të paudhëve të dheut e ata do t'i përdhosin. Do ta heq prej tyre fytyrën time e ata do ta përdhosin thesarin tim. Do të hyjnë vjedhësit e do ta përdhosin. Bëj një vargua, se vendi është plot me gjak që lyp gjyq dhe qyteti është plot me dhunë. Do të dërgoj kombet më të liga, që të marrin në zotërim shtëpinë e tyre. Do t'i jap fund mburrjes së të fuqishmëve dhe shenjtëroret e tyre do të përdhosen. Kur të vijë ankthi, do të kërkojnë paqe, por paqe nuk do të ketë. Do të vijë mjerim pas mjerimi, lajm pas lajmi. Do të kërkojnë ndonjë vegim nga ndonjë profet, ndërkohë që ligji do të nëpërkëmbet nga prifti e këshilla nga pleqtë. Mbreti do të mbajë zi, princi do të vishet me pikëllim dhe popullit të vendit do t'i dridhen duart. Do të sillem me ta sipas sjelljeve të tyre, do t'i gjykoj sipas gjykimeve të tyre e do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Në vitin e gjashtë, në muajin e gjashtë, më pesë të atij muaji, unë isha ulur në shtëpi dhe pleqtë e Judës ishin ulur kundruall meje. Atje ra mbi mua dora e Zotit tim, Zotit. Pashë dhe, ja, një shëmbëllim me pamje njeriu. Prej pamjes së ijëve e poshtë dukej si zjarr, ndërsa prej ijëve e sipër dukej si një shkëlqim me pamje vezulluese. Ai shtriu një trajtë dore dhe më kapi nga flokët që më kishin rënë mbi ballë. Atëherë një shpirt më ngriti mes tokës e qiellit e më çoi në Jerusalem, në një vegim hyjnor, te hyrja e portës së brendshme, me pamje nga veriu, ku ishte vendndodhja e idhullit të smirës që e nguc smirën. Dhe, ja, aty gjendej lavdia e Perëndisë së Izraelit, si vegimi që kisha parë në luginë. Dhe më tha: «Bir i njeriut, çoji sytë drejt veriut!». Unë i çova sytë drejt veriut dhe, ja, në veri të portës së altarit, te hyrja, gjendej idhulli i smirës. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a e sheh çfarë po bëjnë ata, pështirësinë e madhe që shtëpia e Izraelit po bën këtu për të më larguar prej shenjtërores? Por do të shohësh sërish pështirësi edhe më të mëdha». Pastaj më çoi te hyrja e tremes. Pashë dhe, ja, muri kishte një vrimë. Atëherë më tha: «Bir i njeriut, shpoje murin!». E shpova murin dhe, ja, doli një hyrje. Pastaj më tha: «Hyr e shikoji pështirësitë e liga që po bëjnë këtu!». Unë hyra e pashë. Dhe, ja, çdo trajtë zvarraniku e kafshësh të neveritshme dhe të gjithë idhujt e shtëpisë së Izraelit ishin gdhendur në mur rreth e rrotull. Shtatëdhjetë prej pleqve të shtëpisë së Izraelit qëndronin para tyre. Jazanjahu, biri i Shafanit, qëndronte në mes. Secili mbante në dorë nga një temjanicë dhe era e resë së temjanit ngjitej lart. E më tha: «A e pe, bir i njeriut, çfarë po bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e idhujve të vet? Ata thonë: “ Zoti nuk na sheh, Zoti e ka braktisur vendin”». Pastaj më tha: «Do të shohësh sërish pështirësi edhe më të mëdha që i bëjnë ata». Pastaj më çoi te hyrja e portës së tempullit të Zotit, në drejtim të veriut, dhe, ja, pashë disa gra, që rrinin ulur dhe vajtonin Tamuzin. E më tha: «A pe, bir i njeriut? Do të shohësh sërish pështirësi edhe më të mëdha se këto». Pastaj më çoi në tremen e brendshme të tempullit të Zotit dhe, ja, te hyrja e tempullit të Zotit, ndërmjet portikut dhe altarit, rreth njëzet e pesë burra, me shpinë nga tempulli, kishin rënë përmbys në drejtim të lindjes e po adhuronin diellin. E më tha: «A pe, bir i njeriut? Pse, çikërrima ishin pështirësitë që bënë këtu ata të shtëpisë së Judës? Ata e mbushën tokën me dhunë dhe e ngucën përsëri zemërimin tim. Ja, kanë vënë edhe gemin në hundë. Prandaj unë do të veproj me tërbim. Syri im nuk do të ketë mëshirë e unë nuk do të kem dhembshuri. Ata do të më bërtasin në veshë me zë të lartë, por unë nuk do t'i dëgjoj». Pastaj më bërtiti në veshë me zë të lartë e më tha: «U afruan ndëshkuesit e qytetit, secilin me armën e ndëshkimit në dorë». Dhe, ja, gjashtë burra erdhën nga drejtimi i portës së epërme, me pamje nga veriu, secili me armën e ndëshkimit në dorë. Mes tyre ishte edhe një burrë veshur me li, me një trastë shkruesi në ijë. Ata erdhën e u ndalën bri altarit prej bronzi. Lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte ngritur nga kerubi mbi të cilin prehej, drejt pragut të tempullit. Ai thirri njeriun e veshur me li, që kishte trastën e shkruesit në ijë. Zoti i tha: «Kalo përmes qytetit, përmes Jerusalemit, dhe vëru një Tau në ballë burrave që psherëtijnë e rënkojnë për shkak të të gjitha pështirësive që ndodhin mes tyre». Të tjerëve u tha, ndërsa unë po dëgjoja: «Kaloni nëpër qytet, ndiqeni e qëllojeni! Mos të ketë mëshirë syri juaj e mos kini dhembshuri! Vritni pleq, të rinj, vajza, foshnja e gra, por mos prekni askënd që mbart Taun! Filloni nga shenjtërorja ime!». Ata filluan nga pleqtë që ishin para tempullit. Pastaj u tha: «Përdhoseni edhe tempullin e mbushni tremet me të therurit. Tani dilni!». Ata dolën dhe e goditën qytetin. Ndërsa po e godisnin qytetin, unë mbeta vetëm. Atëherë rashë me fytyrë përdhe e thashë: «Ah, Zoti im, o Zot, a do ta shkatërrosh ti vetë tërë tepricën e Izraelit, duke zbrazur zemërimin tënd mbi Jerusalemin?». Ai më tha: «Ligësia e Izraelit dhe e Judës është tepër e rëndë. Toka është ngopur me gjak e qyteti është mbushur me shthurje. Se ata thonë: “ Zoti e ka braktisur vendin, Zoti nuk shikon”. Atëherë as unë, as syri im nuk do të kenë mëshirë e nuk do të kem dhembshuri. Do t'u bien mbi kokë veprat e tyre». Dhe, ja, njeriu i veshur me li, me trastën e shkruesit në ijë, u kthye për të treguar e tha: «Veprova sipas të gjitha urdhrave që më dhe». Pashë dhe, ja, mbi kubenë që gjendej përmbi kokën e kerubëve ishte një si gur safiri, ndërsa sipër tyre shfaqej trajta e një froni. Ai i foli njeriut të veshur me li e i tha: «Hyr ndërmjet rrotave që janë nën kerubët, mbushe pëllëmbën e dorës me thëngjijtë e ndezur mes kerubëve dhe hidhi mbi qytet». Ai shkoi para syve të mi. Kur shkoi ai burrë, ndërsa kerubët qëndronin në të djathtë të tempullit, një re e mbushi tremen e brendshme. Lavdia e Zotit u ngrit përmbi kerubin, në drejtim të pragut të tempullit, dhe tempulli u mbush me atë re, ndërsa tremja u mbush me shkëlqimin e lavdisë së Zotit. Fërfëllima e krahëve të kerubëve u dëgjua deri në tremen e jashtme, porsi zëri i të gjithëpushtetshmit, kur ai flet. Pasi e kishte urdhëruar burrin e veshur me li të merrte zjarrin nga mesi i rrotave që ishin ndër kerubë, shkoi e u ndal pranë rrotës. Njëri prej kerubëve shtriu dorën drejt zjarrit mes kerubëve. E mori dhe ia dha burrit të veshur me li. Ai e mori e doli. Atëherë, nën krahët e kerubëve, u shfaq trajta e një dore njeriu. Pashë dhe, ja, pranë kerubëve gjendeshin katër rrota, nga një pranë secilit kerub. Pamja e rrotave dukej si gur topazi. Dukej se të katra kishin të njëjtën trajtë, si të ishte një rrotë brenda rrotës. Kur lëviznin, lëviznin në të katër drejtimet. Kur lëviznin nuk ktheheshin, sepse lëviznin në drejtimin nga kthehej koka, pas saj. Lëviznin e nuk ktheheshin kur lëviznin. Tërë trupi i tyre, shpina, duart, krahët e rrotat ishin plot me sy përreth, që të katra rrotat. Për rrotat dëgjova se quheshin rrotullore. Çdonjëri kishte katër fytyra: e para fytyrë kerubi, e dyta fytyrë njeriu, e treta fytyrë luani dhe e katërta fytyrë shqiponje. Atëherë kerubët u ngritën. Ishin gjallesat që kisha parë buzë lumit Kebar. Kur lëviznin kerubët, edhe rrotat lëviznin bri tyre. Kur kerubët hapnin krahët për t'u ngritur nga toka, rrotat nuk largoheshin prej tyre. Kur ata ndaleshin, edhe rrotat ndaleshin. Kur ngriheshin, edhe rrotat ngriheshin me ta, sepse shpirti i gjallesave ishte në ta. Atëherë lavdia e Zotit doli nga pragu i tempullit e u ndal mbi kerubët. Kerubët hapën krahët dhe u ngritën nga toka para syve të mi. Edhe rrotat bri tyre dolën. U ndalën te hyrja e portës lindore të tempullit të Zotit dhe lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte mbi ta. Këto ishin të njëjtat gjallesa që kisha parë nën Perëndinë e Izraelit buzë lumit Kebar. E mora vesh se ata ishin kerubët. Secili kishte katër fytyra, secili kishte katër krahë dhe poshtë krahëve trajtën e një dore njeriu. Trajta e fytyrës së tyre ishte pamja që kisha parë buzë lumit Kebar. Secili ecte drejt para vetes. Një shpirt më ngriti dhe më çoi te porta lindore e tempullit të Zotit, me pamje nga lindja. Dhe, ja, te hyrja e portës ishin njëzet e pesë burra. Mes tyre pashë Jazanjahun, birin e Azurit, dhe Pelatiahun, birin e Benajahut, prijësit e popullit. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, këta janë burrat që kurdisin ligësinë dhe këshilltarët e këshillit të lig në këtë qytet. Ata thonë: “Shtëpitë nuk ndërtohen së shpejti. Qyteti është vorba e ne jemi mishi”. Prandaj, profetizo kundër tyre, profetizo, bir i njeriut!». Shpirti i Zotit zbriti mbi mua e më tha: «Thuaj se kështu thotë Zoti: ashtu folët, o shtëpia e Izraelit, por unë i njoh mendimet e shpirtit tuaj. Ju i shumuat të therurit në këtë qytet dhe i mbushët rrugët me të therur. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: të therurit që i keni hedhur në mes të tij, janë mishi e ky qytet është vorba, por ju do të nxirreni prej tij. Shpatën e keni frikë, por, mbi ju, shpatën do të çoj, kumton Zoti im, Zoti. Do t'ju nxjerr jashtë tij, do t'ju lë në dorë të të huajve e do t'ju bëj gjyq. Prej shpatës do të bini. Do t'ju gjykoj në kufi me Izraelin e do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Qyteti nuk do të jetë për ju vorba e ju nuk do të jeni mishi mes tij. Do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit dhe do ta merrni vesh se unë jam Zoti, sipas rregullave të të cilit ju nuk u sollët e nuk i zbatuat vendimet e mia, por vepruat sipas vendimeve të kombeve». Por, ja, ndërsa unë po profetizoja, vdiq Pelatiahu, biri i Benajahut. Atëherë rashë me fytyrë përtokë, thirra me zë të lartë e thashë: «Ah, Zoti im, Zot, a do ta shuash krejt tepricën e Izraelit?». Atëherë m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: «Bir i njeriut, banorët e Jerusalemit u thonë vëllezërve të tu, fisit tënd, të shpërngulurve të tu e mbarë shtëpisë së Izraelit: “Largohuni prej Zotit. Kjo tokë na është dhënë në pronësi neve”. Por ti thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ndonëse i kam larguar ndër kombe, ndonëse i kam shpërndarë nëpër vende, unë kam qenë për ta shenjtërore për pak kohë, në vendet ku kanë shkuar. Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: do t'ju mbledh prej popujve, prej vendeve ku jeni shpërndarë, e do t'ju jap tokën e Izraelit. Ata do të hyjnë e do t'i zhdukin prej tij të gjithë idhujt dhe pështirësitë. Atëherë unë do t'u jap një zemër të re e një shpirt të ri do të fus brenda tyre. Do t'ua heq nga mishi zemrën prej guri e do t'u jap një zemër mishi, që të ecin sipas rregullave të mia, të mbajnë vendimet e mia e t'i zbatojnë. Atëherë ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. Por ata që shkojnë me gjithë zemër pas fëlliqësive dhe pështirësive të tyre, do ta paguajnë me kokë sjelljen e vet, kumton Zoti im, Zoti ». Atëherë kerubët ngritën krahët e rrotat që ishin pranë tyre, ndërsa lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte mbi ta, sipër tyre. Pastaj lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit e u ndal mbi malin në lindje të qytetit. Dhe një shpirt më ngriti e më çoi në Kalde te të shpërngulurit, në një vegim me anë të Shpirtit të Perëndisë, pasi m'u largua vegimi që kisha parë. Unë ua tregova të shpërngulurve të gjitha gjërat që Zoti më kishte shfaqur. Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ti banon në mes të një fisi kryeneç që kanë sy për të parë, e nuk shohin, kanë veshë për të dëgjuar, e nuk dëgjojnë, sepse janë fis kryeneç. Ti, bir i njeriut, bëj një trastë mërgimtari për vete dhe mërgo ditën para syve të tyre. Mërgo nga një vend në një vend tjetër para syve të tyre. Ndoshta do të marrin vesh, ndonëse janë fis kryeneç. Nxirre trastën tënde, trastën e mërgimtarit, ditën para syve të tyre, por ti nisu në mbrëmje para syve të tyre, siç nisen mërgimtarët. Hap një vrimë në mur para syve të tyre e dil përmes saj. Para syve të tyre ngarkoi supet e dil në errësirë. Mbuloje fytyrën, për të mos e parë tokën, se të kam caktuar si shenjë për shtëpinë e Izraelit». Unë bëra siç m'u urdhërua. Trastën e nxora si trastë mërgimtari ditën dhe në mbrëmje hapa një vrimë në mur me duar. Pastaj dola duke e mbartur mbi supe para syve të tyre. Në mëngjes m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: «Bir i njeriut, a nuk të ka pyetur shtëpia e Izraelit, ai fis kryeneç, se çfarë je duke bërë? Ti përgjigju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ky kumt është për prijësin e Jerusalemit dhe për mbarë shtëpinë e Izraelit që banon mes tij. Do të thuash: “Unë jam shenjë për ju. Siç bëra unë, ashtu do t'u bëhet atyre. Do të shkojnë në mërgim e në robëri”. Prijësi që është mes tyre do të ngarkojë supet në muzg e do të dalë. Do të shpojnë murin, për ta nxjerrë përmes tij. Do të mbulojë fytyrën, për të mos e parë tokën me sy. Do të shtrij mbi të rrjetën time e do të bjerë në kurthin tim. Do ta çoj në Babiloni, në dheun e kaldenjve, por nuk do ta shohë dhe atje do të vdesë. Do t'i shpërndaj në të katër erërat të gjithë ata që e rrethojnë, ndihmësit dhe mbarë truprojën. Shpatën do të zhvesh kundër tyre. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, pasi t'i kem shpërndarë ndër kombe e përhapur nëpër vende. Por disa prej tyre do t'i lë të shpëtojnë nga shpata, nga zia e bukës e nga murtaja, që t'ua tregojnë të gjitha pështirësitë e tyre kombeve te të cilat do të shkojnë. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ha bukë duke u dridhur dhe pi ujë i tronditur e me ankth. Pastaj thuaji popullit të vendit se kështu thotë Zoti im, Zoti, për banorët e Jerusalemit, në tokën e Izraelit: do të hanë bukë me ankth e do të pinë ujë me tmerr, se toka e tyre do të shkretohet e do të mbesë pa begati, për shkak të dhunës së të gjithë banorëve të saj. Qytetet e banuara do të shkretohen dhe toka do të kthehet në shkretëtirë. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, çfarë është kjo fjalë e urtë e juaja në mbarë dheun e Izraelit, që thotë: “Ditët zgjatojnë e vegimet firojnë”? Prandaj, thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: “Do t'i jap fund kësaj fjale të urtë e nuk do ta tregojnë më në Izrael si fjalë të urtë”. Por thuaju edhe se po afrohen ditët dhe çdo vegim do të ndodhë, se nuk do të ketë më asnjë vegim të kotë e asnjë parashikim miklues në shtëpinë e Izraelit, se unë jam Zoti. Do të them çfarë do të them e ajo gjë do të ndodhë. Nuk do ta shtyj më, por në kohën tuaj, o fis kryeneç, do ta them fjalën e do ta zbatoj, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ja, ata të shtëpisë së Izraelit thonë: “Vegimi që ai sheh është për pas shumë ditësh dhe për pas shumë kohësh profetizon”. Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: “Asnjë prej fjalëve të mia nuk do të shtyhet më, por fjala që do të flas, do të zbatohet, kumton Zoti im, Zoti ”». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, profetizo kundër profetëve të Izraelit. Profetizo e thuaju atyre që profetizojnë si t'u dojë zemra, ta dëgjojnë fjalën e Zotit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë profetët e marrë që shkojnë pas shpirtit të vet pa parë asgjë. Si dhelprat mes rrënojave janë profetët e tu, o Izrael. Ju nuk jeni ngjitur te të çarat e nuk keni muruar asnjë mur për shtëpinë e Izraelit, që të qëndronte në betejë, në ditën e Zotit. Kanë parë kotësinë dhe parashikimin e rremë ata që thonë: “Kumton Zoti” e Zoti nuk i ka dërguar, por presin t'ua vërtetojë fjalën. A nuk keni parë një vegim të kotë dhe një parashikim të rremë, ju që thoni: “Kumton Zoti ”, kur unë nuk kam folur? Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë keni shpallur mashtrime dhe keni parë vegime të rreme, atëherë ja ku më keni kundër jush, kumton Zoti im, Zoti. Dora ime do të jetë kundër profetëve që kanë vegime të kota e parashikime të rreme. Ata nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e popullit tim, nuk do të shkruhen në librin e bijve të Izraelit e nuk do të hyjnë në tokën e Izraelit. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti juaj, Zoti. Meqë e mashtrojnë popullin tim, duke thënë: “Paqe!”, por paqe nuk ka dhe kur populli e ndërtoi murin ata vetëm e lyen me gëlqere, thuaju atyre që e lyejnë me gëlqere se do të shembet. Do të bjerë shi rrëmbyes, do të bjerë breshër gurësh e do të shpërthejë një erë e stuhishme. Dhe, ja, kur të bjerë muri, a nuk do t'ju pyesin: “Ku është suvaja me të cilën e kishit suvatuar?”. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: do të shpërthej një erë të stuhishme për shkak të zemërimit tim, një shi rrëmbyes për shkak të tërbimit tim dhe, për shkak të mërisë, do të bjerë breshër gurësh e do të sjellë rrënimin e plotë. Do ta shemb murin, që keni mbuluar me gëlqere, do ta rrëzoj përdhe e do t'i dalin themelet. Ai do të shembet, ju do të merrni fund në mes të tij e do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Do ta shteroj mërinë time kundër murit dhe kundër atyre që e kanë suvatuar. Atëherë do t'ju them se nuk ka as mur, as suvatues, as profetë të Izraelit që profetizonin për Jerusalemin dhe shihnin për të një vegim paqeje, kur nuk ka paqe, kumton Zoti im, Zoti. Dhe ti, bir i njeriut, drejtoju bijave të popullit tënd që profetizojnë sipas mendjes së vet dhe profetizo kundër tyre. Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë ato që lidhin rrathë në çdo kyç duarsh e bëjnë shami për koka të çdo mase, për të gjuajtur shpirtrat e njerëzve. Mos vallë do të gjuani shpirtrat e popullit tim e do të shpëtoni shpirtrat tuaj? Ju më keni përdhosur para popullit tim për një grusht elb e për ndonjë copë bukë, duke vrarë njerëzit që nuk duheshin vrarë dhe duke mbajtur gjallë njerëzit që nuk duheshin mbajtur gjallë, duke e mashtruar popullin tim që e dëgjon gënjeshtrën. Prandaj, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku më keni kundër rrathëve tuaj, me të cilët gjuani shpirtrat porsi zogjtë. Do t'jua shqyej nga krahët e do t'i shpëtoj shpirtrat që ju gjuani porsi zogjtë. Do t'jua shqyej shamitë e do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja. Ai nuk do të jetë më pre e duarve tuaja, prandaj do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Se ju e keni tulatur me mashtrim zemrën e drejtë, por unë nuk e kisha tulatur, dhe ia keni forcuar krahët të ligut, që të mos hiqte dorë nga ligësia e vet e të jetonte. Prandaj nuk do të shihni më vegime të rreme e nuk do të bëni më parashikime. Unë do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja e ju do ta merrni vesh se unë jam Zoti ». Disa burra prej pleqve të Izraelit erdhën tek unë dhe u ulën kundruall meje. Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, këta burra i kanë për zemër idhujt e vet dhe e mbajnë para vetes një shkas për të mëkatuar me ligësi. Mos vallë duhet të më këshillojnë ata? Prandaj fol me ta e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: kushdo nga shtëpia e Izraelit që i ka për zemër idhujt e vet dhe e mban para vetes një shkas për të mëkatuar me ligësi, por do të paraqitet te profeti, unë, Zoti, do t'i përgjigjem, kur të vijë me turmën e idhujve të vet, e kështu t'i rrëmbej zemrën shtëpisë së Izraelit, të cilët m'u tëhuajtën të gjithë, për shkak të idhujve të vet. Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: pendohuni e kthehuni prej idhujve tuaj. Hiqini sytë nga të gjitha pështirësitë tuaja, sepse unë vetë, Zoti, do t'i përgjigjem kujtdo nga shtëpia e Izraelit dhe nga të huajt që banojnë në Izrael, kujtdo që ndahet nga unë dhe merr për zemër idhujt e vet, që mban para vetes një shkas për të mëkatuar me ligësi dhe vjen te profeti për t'u këshilluar me mua. Do ta kthej fytyrën kundër atij njeriu e do ta bëj shembull e përrallë. Do ta zhbij nga populli im e do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Nëse profeti gënjehet e flet ndonjë fjalë, atë profet e kam gënjyer unë, Zoti. Do të shtrij dorën kundër tij e do ta zhduk nga mesi i popullit tim Izraelit. Ata do të ngarkohen me fajin e vet dhe si faji i pyetësit do të jetë edhe faji i profetit, që shtëpia e Izraelit të mos përendet më larg meje, që të mos fëlliqen më me të gjitha shkeljet e veta, por ata të jenë populli im dhe unë të jem Perëndia i tyre, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, nëse një tokë mëkaton kundër meje dhe bën tradhti, unë ngre dorë kundër saj dhe ia thyej enën e bukës, i dërgoj zinë e bukës dhe zhbij prej saj njerëz e kafshë. Do të gjenden këta tre burra në të: Noeu, Danieli e Jobi, por ata do ta shpëtojnë jetën e vet falë drejtësisë, kumton Zoti im, Zoti. Nëse dërgoj egërsira për ta përshkuar tokën e ajo do të bëhet shterpë dhe e shkretë, sa të jetë e papërshkueshme për shkak të kafshëve, edhe po të gjenden në të këta tre burra, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat. Do të shpëtonin vetëm ata, por toka do të mbetej e shkretë. Ose, nëse çoj shpatën kundër asaj toke e them: “Le ta përshkojë shpata tokën, që të zhdukë prej saj njerëz e kafshë”, edhe po të gjenden në të këta tre burra, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat. Do të shpëtonin vetëm ata. Ose, nëse çoj murtajën kundër asaj tokë dhe e zbraz zemërimin tim kundër saj me gjak, duke zhdukur prej saj njerëz e kafshë, edhe po të gjenden në të Noeu, Danieli e Jobi, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat. Do të shpëtonin vetëm ata, falë drejtësisë së tyre. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: edhe nëse dërgoj kundër Jerusalemit katër gjykimet e kobshme: shpatën, zinë e bukës, kafshët e egra dhe murtajën, për të zhbirë njerëz e kafshë, ja, në të do të mbetet një tepricë. Disa bij e bija do të nxirren përjashta. Do të dalin drejt jush e ju do të shihni sjelljen dhe veprat e tyre. Atëherë do të ngushëlloheni për kobin që dërgova kundër Jerusalemit, për gjithçka pata dërguar kundër tij. Ata do t'ju ngushëllojnë kur të shihni sjelljen dhe veprat e tyre dhe do ta merrni vesh se nuk e kam bërë kot çfarë kam bërë kundër tij, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ç'epërsi ka bima e hardhisë mbi çdo bimë, shermendi që gjendet mes bimëve të pyllit? A nxirret dru prej saj, për të bërë zeje? A nxjerrin ndonjë pykë prej saj, për të varur në të ndonjë vegël? Ja, hidhet për të ushqyer zjarrin. Zjarri ia përpin të dy skajet, edhe mesi i përcëllohet. A duhet vallë për zeje? Ja, as kur ishte i plotë nuk bënte për zeje, mos do të bëjë për zeje pasi ta përpijë e ta përcëllojë zjarri? Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: siç e hedh drurin e hardhisë, ndër drunjtë e pyllit, për të ushqyer zjarrin, kështu i kam hedhur tej banorët e Jerusalemit. Do ta kthej kundër tyre fytyrën time. Edhe pse i shpëtuan zjarrit, zjarri do t'i përpijë e ju do ta merrni vesh se unë jam Zoti, pasi të kthej fytyrën time kundër tyre. Ndërsa tokën do ta bëj të shkretë, sepse vepruan me pabesi, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, bëja të ditur Jerusalemit pështirësitë e veta e thuaji se kështu i thotë Zoti im, Zoti, Jerusalemit: me prejardhje je nga lindja, prej tokës së kananitëve. Ati yt ishte amorit e nëna jote hitite. Për sa i përket lindjes sate, ditën kur u linde nuk të qe prerë kërthiza, as u lave me ujë, për t'u pastruar, as u kripe, as u mbështolle me fasha. Asnjë sy nuk pati mëshirë për ty, që të kryente për ty njërën prej këtyre gjërave, për mëshirë ndaj teje, por ti u flake arës si shpirt i përbuzur në ditën e lindjes sate. Kalova pranë teje, të pashë tek përpëliteshe në gjakun tënd dhe kur të rridhte gjaku, të thashë: “Jeto!”. Kur të rridhte gjaku, të thashë: “Jeto!”. Të bëra të rritesh si bima e fushës dhe ti u rrite e u këndelle dhe u bëre stolia e stolive. Të dolën gjinjtë, të doli pushi, por ishe lakuriq e cullak. Kalova pranë teje e të pashë. Dhe, ja, kishe mbërritur në moshën e dashurisë. Atëherë shpalosa mbi ty petkun tim dhe e mbulova lakuriqësinë tënde. Pastaj t'u betova dhe u lidha me ty, kumton Zoti im, Zoti, e ti u bëre e imja. Të lava me ujë, të dëlira nga gjaku e të leva me vaj. Të vesha me qëndisma larushore, të mbatha me lëkurë të butë, të mbështolla me li e të mbulova me mëndafsh. Të stolisa me stoli, të vura rrathë në duar e një varg rreth gushës. Të vura unazë në hundë, vathë në veshë dhe një kurorë të bukur mbi kokë. E ti u stolise me ar e me argjend, ndërsa rrobat i kishe prej liri të zgjedhur e prej mëndafshi, me qëndisma larushore. U ushqeve me majë mielli, me mjaltë e me vaj, u bëre e bukur shumë e më shumë dhe arrite të bëheshe mbretërore. Të doli emri ndër kombe për bukurinë e përsosur, falë shkëlqimit që të kisha dhënë, kumton Zoti im, Zoti. Por ti i zure besë bukurisë sate dhe kurvërove në saje të bujës sate. E zbraze kurvërinë tënde me çdo kalimtar e u bëre e tija. I more petkat e tua, bëre për vete faltore larushe dhe kurvërove në to, gjë që nuk duhet të ndodhë e nuk duhet të bëhet. More edhe stolitë e bukura prej arit e argjendit tim, që t'i kisha dhënë, dhe bëre për vete shëmbëllime meshkujsh e kurvërove me to. More edhe qëndismat larushore për t'i mbuluar dhe shtrove para tyre vajin tim e temjanin tim. Edhe bukën time që të kisha dhënë, se të kam ushqyer me majë mielli, me vaj e me mjaltë, ua shtrove para, si erë të këndshme, kumton Zoti im, Zoti. More bijtë e bijat, që m'i pate lindur, dhe ua flijove atyre për ushqim. Mos vallë çikërrimë qe kurvëria jote? I there bijtë e mi dhe i dorëzove, duke ua kushtuar atyre. Me gjithë pështirësitë e të gjitha kurvëritë e tua, nuk t'u kujtua koha e rinisë sate, kur ishe lakuriq, duke u përpëlitur në gjak. Vaj, vaj për ty, kumton Zoti im, Zoti, pas gjithë ligësisë sate, bëre për vete strehë e faltore në çdo shesh. Në krye të çdo rruge e ndërtove faltoren tënde dhe e fëlliqe bukurinë tënde, duke i hapur këmbët për çdo kalimtar e duke i shtuar kurvëritë e tua. Kurvërove me bijtë e Egjiptit, fqinjët tuaj të bëshëm, dhe i shtove kurvëritë e tua për të më zemëruar. Por, ja, unë shtriva dorën kundër teje, ta rrallova ushqimin e caktuar e të lashë në mëshirë të urrejtëseve të tua, bijave të filistinëve, që u vinte turp prej sjelljes sate të shthurur. Kurvërove edhe me bijtë e Asirisë, se nuk pate të ngopur. Kurvërove me ta e nuk pate të ngopur. Edhe me tregtarët e kaldenjve e shumove kurvërinë, por as kështu nuk u ngope. Sa të ligur e pate zemrën, kumton Zoti im, Zoti, kur i bëje të gjitha këto, bëma të një gruaje të përdalë e të pacipë, kur e ndërtoje strehën në krye të çdo rruge dhe e ngrije faltoren në çdo shesh. Veçse nuk ishe si lavire, se e përçmoje shpërblimin, por grua e përdalë që merr një të huaj në vend të burrit të vet. Çdo lavireje ia japin ndonjë dhuratë, por ti u jepje dhurata tërë dashnorëve të tu e i paguaje të vinin te ti nga çdo anë për të kurvëruar me ty. Në kurvërinë tënde, ti bëre të kundërtën e grave të tjera. Askush nuk të shtyu të kurvëroje, por ti jepje shpërblimin, ndërsa ty nuk të jepej shpërblim e kështu bëje të kundërtën. Prandaj, o lavire, dëgjoje fjalën e Zotit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: pasi i shfryve epshet e tua dhe e zbulove lakuriqësinë tënde, duke kurvëruar me dashnorët e tu e me të gjithë idhujt e tu të pështirë dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që ua fale atyre, për këtë, ja, do t'i mbledh dashnorët e tu, me të cilët harboheshe, me të gjithë ata që ke dashur e ke urryer, do t'i mbledh nga çdo anë kundër teje, do t'ua zbuloj lakuriqësinë tënde dhe ata do ta shohin tërë lakuriqësinë tënde. Do të të gjykoj siç gjykohen kurorëshkelëset dhe gjakderdhëset. Do të të gjakos, prej zemërimit e smirës. Do të të lë në dorë të tyre dhe ata do ta shembin strehën tënde e do ta rrëzojnë faltoren tënde, do të t'i zhveshin petkat, do të t'i heqin stolitë e shkëlqyeshme e do të të lënë lakuriq e cullak. Do të ngrenë kundër teje një lukuni, do të të vrasin me gurë e do të të copëtojnë me shpata. Do të t'i djegin shtëpitë me zjarr e do të të bëjnë gjyq në sytë e një morie grash. Do të të largoj nga kurvëria e nuk do të japësh më shpërblim. Pasi të më jetë fashitur zemërimi kundër teje, nuk do të kem më smirë për ty, do të qetësohem e nuk do të hidhërohem më. Meqë nuk i solle ndër mend ditët e rinisë sate dhe më zemërove me këto gjëra, ja, edhe unë t'i hodha kokës sjelljet e tua, kumton Zoti im, Zoti, e ti nuk do të bësh ndyrësi mbi pështirësi. Ja, të gjithë fjalëurtët do të thonë për ty: “Si e ëma, ashtu e bija”. Ti je bija e nënës sate që e përbuzi burrin e bijtë. Ti je motra e motrave të tua që i përbuzën burrat e bijtë. Nëna juaj ishte hitite dhe ati juaj amorit. Motra jote e madhe është Samaria që banonte me bijat e veta në të majtën tënde. Motra jote e vogël banonte në të djathtën tënde: Sodoma me bijat e veta. Jo vetëm që u solle si u sollën ato e bëre të njëjtat pështirësi si ato, por për pak kohë u bëre më e shthurur se ato në të gjitha sjelljet. Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, motra jote Sodoma e bijat e saj nuk kanë bërë çfarë ke bërë ti e bijat e tua. Ja, kjo qe ligësia e motrës sate, Sodomës: mburrje, grykësi e plogështi përtace i përkisnin asaj e bijave të saj. Nuk i dhanë një dorë skamnorit e nevojtarit. U krekosën e bënë pështirësi para meje, prandaj i zhbiva sapo i pashë. Samaria nuk ka mëkatuar as sa gjysma e mëkateve të tua. Ti ke bërë pështirësi më shumë se ato. Me tërë pështirësitë e tua, i bëre të duken të drejta motrat e tua. Mbaje poshtërimin tënd edhe ti, që u dole zot motrave të tua, se, me mëkatet e pështirësitë që bëre më shumë se ato, ato dalin më të drejta se ti. Mbaje turpin edhe ti dhe mbaje poshtërimin tënd, se i nxore të drejta motrat e tua. Por unë do t'ua kthej mbarësinë, mbarësinë e Sodomës dhe të bijave të saj, mbarësinë e Samarisë dhe të bijave të saj. Do të kthej edhe mbarësinë tuaj mes tyre, që ti të marrësh mbi vete poshtërimin e turpin për çfarë ke bërë e të kthehesh në ngushëllim për to. Motra jote Sodoma me bijat e saj do të kthehen në gjendjen e mëparshme. Samaria me bijat e saj do të kthehen në gjendjen e mëparshme. Edhe ti e bijat e tua do të ktheheni në gjendjen e mëparshme. A nuk e kishte kthyer në rrëfenjë goja jote Sodomën, motrën tënde, në kohën kur mburreshe, para se të zbulohej lakuriqësia jote? Tani ti u bëre tallje për bijat e Sirisë e tërë atyre përreth saj, për bijat e filistinëve që të përqeshin gjithandej. Ti mbart mbi vete shthurjen tënde dhe pështirësitë e tua, kumton Zoti. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: do të veproj me ty siç veprove ti, ti që e përçmove betimin, duke e thyer besëlidhjen. Por unë do të kujtohem për besëlidhjen që bëra me ty në ditët e rinisë sate. Do të bëj me ty një besëlidhje të amshuar. Atëherë do t'i kujtosh sjelljet e tua e do të turpërohesh, kur të pranosh motrat e mëdhaja e të vogla. Ato do të t'i jap për bija, por jo në saje të besëlidhjes me ty. Do të vendos besëlidhjen time me ty e ti do ta marrësh vesh se unë jam Zoti, me qëllim që të kujtohesh e të turpërohesh dhe të mos e hapësh më gojën prej poshtërimit, kur të të përdëllej për gjithçka ke bërë, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, thuaj një gjëegjëzë dhe tregoi një shëmbëlltyrë shtëpisë së Izraelit. Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: një shqiponjë e madhe me krahë të mëdhenj e me pendë të gjata, plot pupla të larmishme, erdhi në Liban dhe mori majën e cedrit. Këputi majën e filizave, e çoi në një vend tregtie dhe e vendosi në një vend tregtarësh. Mori farën e asaj toke dhe e hodhi në një arë të mbjellash. Në një lëndinë, ndanë ujërave të shumtë e mbolli dhe ajo buloi e u bë hardhi e shtrirë, me trung të ulët, me degët drejt saj e me rrënjët poshtë saj. U bë hardhi, qiti shermende e lëshoi degë. Qe edhe një shqiponjë e madhe, me krahë të mëdhenj e me shumë pupla. Dhe, ja, prej zagnave, ajo hardhi i ktheu rrënjët drejt shqiponjës, i priri degët drejt saj, që ta ujiste. Në tokë të mirë, ndanë ujërave të shumta qe mbjellë, që të nxirrte shermende, të jepte fryt e të bëhej hardhi madhështore. Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: a do t'i ecë mbarë? A do të rrijë ajo pa ia nxjerrë rrënjët e pa ia këputur frytet, që t'i thahen bulëzat e njoma? Nuk duhet ndonjë krah i fuqishëm as ndonjë popull i madh për ta shkulur me rrënjë. Ja, u mboll, por a do t'i ecë mbarë? A nuk do të thahet sapo ta zërë era e lindjes? Në zagnën ku çeli do të thahet». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Thuaji shtëpisë kryeneçe: a nuk e dini çfarë do të thotë kjo? Thuaj: ja, mbreti i Babilonisë erdhi në Jerusalem, mori mbretin e prijësit e tij dhe i çoi në Babiloni. Mori një pinjoll mbretëror, bëri besëlidhje me të dhe e vuri në be. Mori udhëheqësit e vendit, që të poshtërohet mbretëria e të mos ngrihet, e megjithatë ta mbante më këmbë besëlidhjen me të. Por ai ngriti krye kundër tij e i dërgoi lajmëtarë në Egjipt, që t'i jepeshin kuaj e një ushtri e madhe. A do t'i ecë mbarë? A mund të shpëtojë ai që veproi kështu? A mund ta thyejë besëlidhjen e të shpëtojë? Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, ai do të vdesë në Babiloni, në vendin e mbretit që e vuri atë mbret, të cilit ia përçmoi betimin e ia theu besëlidhjen. As faraoni, me ushtrinë e tij të madhe e me tubimin e shumtë, nuk do t'i ndihë në betejë, kur të ngrejë stome e të vërë ledhe për të shuar shumë jetë. Ai përbuzi betimin dhe theu besëlidhjen. Ja, i dha dorën e pastaj bëri të gjitha këto. Nuk do të shpëtojë. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: pasha jetën time do t'ia hedh kokës betimin tim që ai e përçmoi dhe besëlidhjen time që ai e theu. Do të hedh rrjetën time kundër tij e ai do të bjerë në kurthin tim. Do ta çoj në Babiloni dhe atje do ta gjykoj për tradhtinë që kreu kundër meje. Të gjithë të zgjedhurit e aradheve të tij do të bien prej shpatës dhe të mbeturit do të shpërndahen në të katër erërat. Kështu do ta merrni vesh se unë, Zoti, kam folur. Kështu thotë Zoti im, Zoti: unë vetë do t'ia këpus majën cedrit të lartë e do ta ngul. Prej majës do të këpus një filiz të njomë e do ta mbjell unë vetë mbi një mal të lartë e të spikatur. Mbi malin e lartë të Izraelit do ta mbjell e ai do të qesë degë, do të japë fryt dhe do të bëhet cedër madhështor. Nën të do të banojnë të gjithë zogjtë, çdo shpend do ta vërë folenë nën hijen e degëve të tij. E do ta marrin vesh të gjitha pemët e pyllit se unë jam Zoti, që e ul pemën e lartë dhe e lartësoj pemën e ulët, e thaj pemën e njomë dhe e bëj të çelë pemën e tharë. Unë, Zoti, fola e do të veproj». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Çfarë keni që thoni në dheun e Izraelit këtë thënie: “Rrushin e thartë e hëngrën etërit, por dhëmbët iu mpinë bijve”? Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do ta thoni kurrë më këtë thënie në Izrael. Ja, të gjithë shpirtrat më përkasin mua. Mua më përket si jeta e atit, ashtu edhe jeta e birit. Ai që do të mëkatojë, ai edhe do të vdesë. Nëse një njeri është i drejtë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, nëse nuk ha mbi male dhe nuk i ngre sytë drejt idhujve të shtëpisë së Izraelit, nëse nuk e fëlliq gruan e të afërtit e nuk i afrohet asnjë gruaje me të përmuajshme, nëse nuk i bën trysni askujt, por ia kthen pengun detyruesit, nëse nuk plaçkit, por i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, nëse nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitim, por zbaton drejtësinë e vërtetë mes njerëzve, ndjek vendimet e mia dhe vepron me besnikëri, ai është i drejtë e do të jetojë, kumton Zoti im, Zoti. Por, nëse i lind djali mujshar e gjakderdhës, që kryen ndonjë veprim të tillë, ndonëse ai vetë nuk kishte bërë asnjë nga këto, i biri, për më tepër, ha mbi male, fëlliq gruan e të afërtit, i bën trysni skamnorit e nevojtarit, plaçkit, nuk e kthen pengun, i ngre sytë drejt idhujve, kryen pështirësi, jep hua me kamatë dhe merr përfitimin, a do të jetojë vallë i biri? Ai nuk do të jetojë. I bëri të gjitha këto pështirësi, do të vdesë patjetër e gjaku i vet do të bjerë mbi të. Por, nëse i lind një djalë, i cili sheh të gjitha mëkatet që ka bërë i ati, i sheh, por nuk vepron njësoj, nuk ha mbi male, nuk i ngre sytë drejt idhujve të Izraelit, nuk e fëlliq gruan e të afërtit, nuk bën trysni, nuk e mban pengun, nuk plaçkit, i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, heq dorë nga paudhësia, nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitimin, zbaton vendimet e mia dhe ndjek rregullat e mia, ai nuk do të vdesë për faj të të atit, por do të jetojë patjetër. Ndërsa i ati që e ka zhvatur e vjedhur vëllanë dhe ka bërë çfarë nuk është e mirë mes popullit të vet, ja, ai do të vdesë për faj të vet. Ju thoni: “Pse nuk e mbart biri fajin e të atit?”. Sepse i biri zbaton të drejtën e drejtësinë, mban të gjitha rregullat e mia dhe i zbaton, prandaj do të jetojë. Shpirti që mëkaton, ai do të vdesë. Biri nuk do të mbajë fajin e të atit, as ati fajin e të birit. Mbi të drejtin do të mbetet drejtësia dhe mbi të ligun do të mbetet ligësia. Por, nëse i paudhi heq dorë nga të gjitha mëkatet që ka bërë, mban të gjitha rregullat e mia dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. Nuk do t'i kujtohet më asnjë shkelje që ka bërë, por do të jetojë në saje të drejtësisë që ka zbatuar. A kënaqem unë me vdekjen e të paudhit, kumton Zoti im, Zoti, apo që ai të heqë dorë nga sjellja e tij e të jetojë? Por, nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, si të gjitha pështirësitë që bën i paudhi, a do të jetojë vallë ai? Asnjë gjë e drejtë që pati bërë nuk do t'i mbahet mend, por për shkak të pabesisë që kreu e të mëkatit që bëri, ai do të vdesë. Ju thoni: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Dëgjoni, pra, o shtëpia e Izraelit: nuk është e drejtë sjellja ime apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. Për shkak të padrejtësisë që bëri do të vdesë. Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia që ka bërë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, shpirti i tij do të jetojë. E vuri re, u largua nga të gjitha shkeljet që kishte kryer, prandaj do të jetojë e nuk do të vdesë. Por shtëpia e Izraelit thotë: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Nuk është e drejtë sjellja ime, o shtëpia e Izraelit, apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Prandaj do ta gjykoj secilin sipas sjelljes së vet, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti im, Zoti. Hiqni dorë e kthehuni nga të gjitha shkeljet tuaja e nuk do t'ju pengojë më faji juaj. Shporrini prej jush të gjitha shkeljet që keni bërë dhe bëni një zemër të re e një shpirt të ri. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? Unë nuk kënaqem me vdekjen e askujt, kumton Zoti im, Zoti, prandaj pendohuni e jetoni». Tani ti lësho vajtimin për prijësit e Izraelit e thuaj: «Çfarë ishte nëna jote? Luaneshë mes luanësh ulur. Mes këlyshëve të luanëve këlyshët e vet i mëkonte. Njërin prej këlyshëve e rriti e ai u bë luan. Mësoi të zinte prenë e njerëz përpiu. Por kombet dëgjuan për të e në gropën e tyre u zu, pastaj me vargonj e çuan në dheun e Egjiptit. Kur ajo pa se po priste e po shpresonte më kot, mori një tjetër këlysh dhe e bëri luan. Ai endej ndër luanë, kur u bë luan, mësoi të zinte pre e njerëz përpiu. Shkoi me të vejat, qytetet rrënoi, vendi e gjithë ç'kish në të prej ulërimës së tij tronditej. Pastaj e sulmuan kombet nga krahinat përreth, rrjetën mbi të e hodhën e ra në gropën e tyre. Me pranga e shtinë në kafaz, mbretit të Babilonisë ia çuan, brenda në burg e ndrynë, që në malet e Izraelit zëri më të mos i ndihej. Nëna jote porsi hardhi mbjellë buzë ujit, plot fryte e kurorëplotë falë ujit të shumtë. Degët të forta i kishte për skeptra mbretërish, spikaste shtati i saj në mes të degëzimeve, binte në sy, se ishte e lartë, se degët të begata i kishte. Por me zemërim u shkul, përdhe u përplas, ia thau frytet era e lindjes, u këputën e u thanë dhe trungun e fortë zjarri e përpiu. E tani është mbjellë në shkretëtirë, në një tokë të thatë e të etur. Një zjarr doli nga një degë e saj, filizat e frytin ia dogji, s'ka mbetur në të një filiz i fortë për skeptër sundimtari». Ky është vajtim e duhet të shërbejë si vajtim. Në vitin e shtatë, në muajin e pestë, më dhjetë të atij muaji, disa burra prej pleqve të Izraelit erdhën për të pyetur Zotin dhe u ulën kundruall meje. Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, fol me pleqtë e Izraelit e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: a për të më pyetur mua keni ardhur? Pasha jetën time, nuk do të pyetem prej jush, kumton Zoti im, Zoti. A do t'i gjykosh ti, o bir i njeriut, a do t'i gjykosh ti? Le t'i marrin vesh pështirësitë e etërve të vet. Thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: kur e zgjodha Izraelin, ngrita dorën dhe iu betova farës së shtëpisë së Jakobit. U bëra i njohur për ta në vendin e Egjiptit. Iu betova e thashë: “Unë jam Zoti, Perëndia juaj”. Atëherë ngrita dorën dhe u betova se do t'i nxirrja nga toka e Egjiptit drejt tokës që kisha zgjedhur për ta, ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ajo është më e bukur se të gjitha tokat. Dhe u thashë: le t'i flakë secili ndyrësitë që mban parasysh e mos u përdhosni me idhujt e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Por ata ngritën krye kundër meje e nuk deshën të dëgjonin. Asnjëri prej tyre nuk i flaku ndyrësitë që mbanin para syve e nuk i braktisën idhujt e Egjiptit. Atëherë thashë: do të zbraz mbi ta zemërimin tim e do ta shteroj hidhërimin tim kundër tyre në mes të dheut të Egjiptit. Megjithatë, veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, mes të cilëve gjendeshin, meqenëse unë isha bërë i njohur para syve të tyre, duke i nxjerrë prej dheut të Egjiptit. Atëherë, i nxora nga dheu i Egjiptit e i çova në shkretëtirë. Pastaj u dhashë rregullat e mia dhe i njoha me vendimet e mia, që njerëzit t'i zbatonin e të jetonin falë tyre. U dhashë edhe të shtunat e mia, si shenjë mes meje e tyre, që ta merrnin vesh se unë, Zoti, i kisha shenjtëruar. Por shtëpia e Izraelit ngriti krye kundër meje në shkretëtirë. Nuk ndoqën rregullat e mia dhe i hodhën poshtë vendimet e mia që njeriu duhet t'i mbajë për të jetuar. Edhe të shtunat e mia i përdhosën fare. Atëherë thashë: do ta zbraz mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë e do t'i zhbij. Megjithatë, veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, se para syve të tyre i kisha nxjerrë. Dhe në shkretëtirë e ngrita dorën e u betova se nuk do t'i çoja në tokën që u kisha dhënë, ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ajo është më e bukur se të gjitha tokat. Shkaku ishte se i kishin përbuzur vendimet e mia, nuk i kishin ndjekur rregullat e mia dhe i kishin përdhosur të shtunat e mia, se zemra e tyre rendte pas idhujve. Por syri im pati mëshirë për ta dhe unë nuk i shkatërrova e nuk i shfarosa në shkretëtirë. Atëherë u thashë fëmijëve të tyre në shkretëtirë: mos u sillni sipas rregullave të etërve tuaj, mos i zbatoni vendimet e tyre e mos u ndyni me idhujt e tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Ndiqni rregullat e mia, mbajini e zbatojini vendimet e mia. Shenjtërojini të shtunat e mia dhe le të jenë si shenjë mes meje e jush, që të bëhet e ditur se unë jam Zoti, Perëndia juaj. Por bijtë ngritën krye kundër meje, nuk i ndoqën rregullat e mia, nuk i ruajtën e nuk i zbatuan vendimet e mia, që, njeriu që i zbaton, të jetojë falë tyre. Ata e përdhosën të shtunën, prandaj thashë se do ta zbrazja kundër tyre zemërimin tim e do ta shteroja hidhërimin tim ndaj tyre në shkretëtirë. Por e mbajta dorën dhe veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, se para syve të tyre i kisha nxjerrë. Përsëri ngrita dorën në shkretëtirë dhe u betova se do t'i shpërndaja ndër kombe e do t'i përhapja nëpër vende të ndryshme, se nuk kishin zbatuar vendimet e mia dhe kishin flakur rregullat e mia, kishin përdhosur të shtunat e mia dhe i kishin kthyer sytë drejt idhujve të etërve të tyre. Dhe, sërish, unë u dhashë rregulla jo të mira e vendime me të cilat nuk mund të jetonin. I bëra të ndyheshin me kushtimet e veta, me flijimin e të parëlindurve, që t'i tmerroja e ta merrnin vesh se unë jam Zoti. Prandaj, foli shtëpisë së Izraelit, o bir i njeriut, e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: përsëri më fyen etërit tuaj, duke u sjellë me pabesi ndaj meje. Unë i pata sjellë në tokën që isha betuar t'ua jepja, por sapo shihnin ndonjë kodër të lartë apo ndonjë pemë gjethore, aty i kushtonin flitë e tyre, aty i paraqisnin kushtimet ngasëse, aty i vendosnin erërat e këndshme e aty i derdhnin flitë e stërpikjes. Unë u thashë: çfarë është kjo lartësi, tek e cila shkoni? Kështu i mbeti emri lartësi deri më sot. Prandaj, thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: ju po ndyheni sipas mënyrës së etërve tuaj, po kurvëroni me pështirësitë e tyre. Kur kushtoni dhuratat tuaja dhe i shkoni në zjarr bijtë tuaj, ndyheni me idhujt tuaj gjer më sot. A do t'i pranoj pyetjet tuaja, o shtëpia e Izraelit? Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do t'i pranoj pyetjet tuaja. Çfarë ju do shpirti, nuk do të ndodhë, edhe pse ju thoni: do të jemi si kombet, si fiset e vendeve të tjera, që i falen drurit e gurit. Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krahun shtrirë dhe duke e zbrazur zemërimin. Do t'ju nxjerr nga popujt e do t'ju mbledh prej vendeve ku jeni shpërndarë, me dorë të fortë, me krahun shtrirë e duke e zbrazur zemërimin. Do t'ju çoj në shkretëtirën e popujve e do t'ju gjykoj atje ballë për ballë. Sikurse kam gjykuar etërit tuaj në shkretëtirën e dheut të Egjiptit, ashtu do t'ju gjykoj edhe ju, kumton Zoti im, Zoti. Do t'ju bëj të kaloni nën shkopin tim e do t'ju vë nën zgjedhën e besëlidhjes. Do t'i spastroj prej jush kryengritësit dhe ata që kryejnë shkelje kundër meje. Do t'i nxjerr prej vendit ku janë ngulur, por nuk do të hyjnë në tokën e Izraelit. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Ndërsa juve, o shtëpia e Izraelit, kështu ju thotë Zoti im, Zoti: të shkojë e t'u falet secili idhujve të vet, por pastaj do ta shohim a do të më dëgjoni. Atëherë nuk do ta përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhuratat e me idhujt tuaj. Se mbi malin tim të shenjtë, mbi malin e lartë të Izraelit, kumton Zoti im, Zoti, atje do të më shërbejë mbarë shtëpia e Izraelit, e tëra në atë vend. Atje do t'i pranoj e atje do t'i kërkoj blatimet dhe kryedhuratat, ndër të gjitha kushtimet tuaja të shenjta. Do t'ju pranoj si erën e këndshme, pasi t'ju kem nxjerrë prej popujve e t'ju kem mbledhur prej vendeve ku ishit shpërndarë. Do të dëftohem i shenjtë mes jush në sytë e kombeve. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti, kur t'ju sjell në tokën e Izraelit, në tokën për të cilën ngrita dorën e u betova se do t'ua jepja etërve tuaj. Atje do të kujtoni sjelljen tuaj dhe të gjitha bëmat me të cilat qetë ndyrë. Atëherë do t'ju neveritet vetja për të gjitha ligësitë që patët bërë. E do ta merrni vesh se unë jam Zoti, pasi të kem vepruar me ju për hir të emrit tim, jo sipas sjelljeve tuaja të liga dhe sipas veprimeve tuaj të shthurura, o shtëpia i Izraelit, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ktheje fytyrën drejt jugut, shfryj kundër jugut dhe profetizo kundër pyllit të arës së Negevit. Thuaji pyllit të Negevit: dëgjoje fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: ja, po ndez në ty një zjarr që do të përpijë çdo dru të njomë e të thatë. Nuk do të shuhet flaka shkrumbuese, por do të djegë çdo sipërfaqe nga jugu në veri. Atëherë çdo gjallesë do ta shohë se e ndeza unë, Zoti, e nuk do të shuhet». Unë thashë: «Ah, Zoti im, Zot, ata thonë për mua: “A nuk flet me shëmbëlltyra ai?”». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ktheje fytyrën drejt Jerusalemit e shfryj kundër shenjtëroreve të tij. Profetizo kundër tokës së Izraelit e thuaji tokës së Izraelit se kështu thotë Zoti: ja ku jam, kundër jush. Do ta nxjerr shpatën prej millit e do të këpus prej teje të drejtin e të mbrapshtin. Meqë do të këpus prej teje të drejtin e të mbrapshtin, shpata ime do të dalë prej millit kundër çdo gjallese nga jugu në veri. Çdo gjallesë do ta marrë vesh se unë, Zoti, e zhvesha shpatën e ajo nuk do të kthehet në mill. Ti, bir i njeriut, rënko. Rënko para syve të tyre me brinjë të shqyer e me hidhërim. Kur të të pyesin: “Pse rënkon?”, përgjigju: “Për shkak të njoftimit që po vjen. Çdo zemër do të meket e çdo dorë do të prehet. Çdo shpirt do të fiket e çdo gju do të bëhet ujë. Ja, po vjen e po kryhet, kumton Zoti im, Zoti ”». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, profetizo e thuaj se kështu thotë Zoti. Thuaj: Shpata, shpata e mprehur dhe e holluar, e mprehur për të therur mirë, e holluar për të vezulluar! E la ta hollonin për ta mbërthyer me dorë, e mprehu dhe e holloi për t'ia dhënë në dorë thertarit. Bërtit e vajto, o bir i njeriut, se ajo ra mbi popullin tim, mbi të gjithë prijësit e Izraelit. Do të hasin në shpatë bashkë me popullin tim, prandaj shuplake kofshën, se u vu në provë. E çfarë do të bënte po të mos kishte shkopin e përbuzjes? Kumton Zoti im, Zoti. Ti, o bir i njeriut, profetizo e rrih shuplakë, le të bjerë dyfish shpata, trefish shpata e thertarëve. Është shpata e të therurve, e madhja, ajo i rrethon. Për t'i mekur zemrat, për t'i shumuar të rënët, në çdo portë të tyre e vura shpatën vrastare. Është mprehur për të vezulluar, është holluar për therori. Mprihe djathtas, ktheje majtas, ngado ta kthesh fytyrën. Edhe unë do të rrah shuplakë e do ta shuaj zemërimin. Unë, Zoti, kam folur». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: ti, o bir i njeriut, cakto dy rrugë për ardhjen e shpatës së mbretit të Babilonisë. Të dyja duhet të nisen prej të njëjtit vend. Bëj edhe një shenjë e vëre në krye të rrugës për në qytet. Cakto një rrugë për ardhjen e shpatës kundër Rabahut të amonitëve dhe kundër Judës, në Jerusalem, qytetit të fortifikuar. Se mbreti i Babilonisë është ndalur te degëzimi i udhës, në krye të dy rrugëve, për të hedhur fall. Ai tund shigjetat, pyet idhujt, vëzhgon mëlçinë. Në dorën e djathtë doli falli: Jerusalemi. I duhen vënë deshtë, duhet urdhëruar rrënimi, duhet ngritur britma e luftës; duhen vënë deshtë kundër portave, duhen hedhur ledhet, duhet ndërtuar rrethimi. Megjithatë do t'u dalë fall i rremë, se u kishin dhënë besën, por ai u kujton fajin, prandaj duhen kapur. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë e kujtuat fajin tuaj, duke i zbuluar shkeljet tuaja, për të shfaqur mëkatet që gjenden në të gjitha bëmat tuaja, meqë i kthyet në kujtesë, me dorë do të kapeni. E ti, o i përdhosur e i lig, o prijës i Izraelit, që të erdhi dita, koha e ndëshkimit tënd të fundit, kështu thotë Zoti im, Zoti: hiqe kësulën dhe ule kurorën. Asgjë nuk do të jetë njësoj. Do të madhërohet përulësia e do të përulet madhëria. Rrënim, rrënim, rrënim! Unë do ta kryej. Por edhe kjo nuk do të ndodhë derisa të vijë ai, të cilit i përket gjykimi, e unë do t'ia jap. Ti, bir i njeriut, profetizo e thuaj se kështu u thotë Zoti im, Zoti, bijve të Amonit në lidhje me sharjet e tyre. Thuaj: shpata, shpata është zhveshur për therori. Është mprehur për të prerë e për të vezulluar. Kur të kenë vegime mashtruese për ty e të qesin fall të rremë, do t'u bjerë në fyt përdhosësve të paudhë, pasi t'u ketë ardhur dita, në kohën e ndëshkimit të fundit. Ktheje në mill. Në vendin ku u krijove, në dheun e prejardhjes sate do të të gjykoj. Do ta derdh zemërimin tim mbi ty. Do ta shfryj mbi ty zjarrin e mërisë sime e do të të lë në dorë të tutkunëve, mjeshtërve të rrënimit. Do të bëhesh ushqim për zjarrin. Në mes të dheut do të bjerë gjaku yt. Nuk do të kujtohesh më, se unë, Zoti, kam folur. Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Po ti, bir i njeriut, a do të gjykosh? A do ta gjykosh qytetin gjakatar? Tregoja, pra, të gjitha pështirësitë e veta. Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: o qytet, që derdh gjak në mesin e vet, me qëllim që t'i vijë koha, dhe bën idhuj, për t'u përdhosur! Për shkak të gjakut që derdhe, u bëre me faj. Për shkak të idhujve që sajove, u përdhose. I shkurtove ditët e tua e t'u sosën vitet. Prandaj do të të bëj tallje për kombet e shpoti për të gjitha vendet. Të afërm e të largët do të të shpotisin, o emërndyrë e rrëmujëmadhe. Ja, te ti, prijësit e Izraelit, secili sipas fuqisë së vet, janë dhënë pas gjakderdhjes. Ati e nëna përçmohen te ti. Ardhacakun e shtypin në mesin tënd. Jetimin e të venë e mundojnë te ti. Ti i ke përçmuar gjërat e mia të shenjta dhe të shtunat e mia i ke përdhosur. Te ti ka njerëz shpifës që derdhin gjak. Te ti ka dhe nga ata që hanë maleve. Mes teje ka njerëz që bëjnë paudhësi. Te ti kanë zbuluar lakuriqësinë e atit. Edhe gratë e papastra me të përmuajshme i kanë dhunuar te ti. Njëri bën fëlliqësi me gruan e të afërtit, tjetri fëlliqet me të renë e tjetri poshtëron të motrën, bijën e të atit, te ti. Te ti marrin mitë për të derdhur gjak. Ti merr përfitimin e kamatën, shfrytëzon të afërtin me dhunë, ndërsa mua më ke harruar, kumton Zoti im, Zoti. Prandaj, ja, unë tregoj grushtin kundër përfitimeve të tua dhe kundër gjakut që është në mesin tënd. A do të durojë zemra jote dhe a do të jenë të forta duart e tua për ditët që po përgatis për ty? Unë, Zoti, fola e do të veproj. Do të të shpërndaj nëpër kombe e do të të hapërdaj nëpër vende. Do ta zhbij prej teje papastërtinë. Do të përdhosesh në sytë e kombeve, por do ta marrësh vesh se unë jam Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, shtëpia e Izraelit është bërë mbetje për mua. Të gjithë janë bronz, kallaj, hekur e plumb mes shkritores. Mbetje argjendi janë. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë jeni bërë të gjithë mbetje, unë do t'ju mbledh në mes të Jerusalemit. Siç mblidhen argjendi, bronzi, hekuri, plumbi e kallaji brenda në shkritore e i fryhet zjarrit për t'i shkrirë, kështu do t'ju mbledh unë, me zemërim e hidhërim, e do t'ju hedh për t'ju shkrirë. Do t'ju mbledh, do t'i fryj zjarrit të mërisë sime kundër jush e do t'ju shkrij në të. Siç shkrihet argjendi në shkritore, ashtu do të shkriheni ju mes tij e do ta merrni vesh se unë, Zoti, e derdha zemërimin tim kundër jush». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, thuaji Jerusalemit: ti je tokë e papastruar, e palarë me shi në ditën e furisë. Profetët thurin ligësi mes tij. Si luani ulëritës që e shqyen prenë, ata i përpijnë njerëzit. Rrëmbejnë thesare e gjëra me vlerë, i shumojnë të vejat në mes të tij. Priftërinjtë e tij e dhunojnë ligjin tim dhe i përdhosin gjërat e mia të shenjta. Nuk i dallojnë të shenjtat nga të rëndomtat, nuk tregojnë çfarë është e pastër dhe e papastër, nuk i shohin me sy të shtunat e mia dhe unë jam përdhosur mes tyre. Princat në mesin e tij janë si ujq që shqyejnë prenë, derdhin gjak e rrënojnë jetët për të nxjerrë përfitime. E profetët ua mbulojnë këto me gëlqere, duke parë vegime të rreme, duke bërë për ta parashikime të gënjeshtërta e duke thënë: “Kështu thotë Zoti im, Zoti ”, ndërkohë që Zoti nuk kishte folur. Populli i vendit bën mujshi e kryen grabitje. Ngacmojnë skamnorin e nevojtarin, shtypin ardhacakun pa të drejtë. Unë kërkova prej tyre një njeri që të ndërtonte një mur e të qëndronte para meje, tek e çara, për vendin, që të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta. Atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta. U dhashë fund me zjarrin e zemërimit tim. Ua hodha kokës sjelljet e tyre, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, na ishin dy gra, bija të së njëjtës nënë. Ato ishin lavire në Egjipt. Që në rini kurvëruan atje. Atje ua fërkuan gjinjtë e ua shtrydhën thithkat e vashërisë. E madhja quhej Ohola dhe motra e saj e vogël quhej Oholiba. I pata të miat dhe lindën bij e bija. Emrat e tyre janë: Samaria për Oholanë dhe Jerusalemi për Oholibanë. Oholaja kurvëroi kur e pata unë dhe u dha me epsh pas dashnorëve në Asiri. Ata ishin luftëtarë të veshur me purpur, qeveritarë e zyrtarë, të gjithë të rinj joshës, kalorës kaluar mbi kuaj. Ajo u dha tek ata, te të gjithë bijtë e zgjedhur të Asirisë, dhe u përlye me të gjithë idhujt që i ngjallën epsh. Nuk hoqi dorë nga kurvëria, që kishte nisur në Egjipt, se e kishin shtrirë që në rini, ia kishin shtrydhur thithkat e vashërisë dhe kishin zbrazur mbi të kurvërinë e tyre. Prandaj e lashë në dorë të dashnorëve të vet, në dorë të asirianëve, pas të cilëve u harbua. Ata e zhveshën lakuriq, ia morën bijtë e bijat dhe ia vranë me shpatë. Kështu e ndëshkuan dhe ajo u bë shembull për gratë. Motra e vet, Oholibaja, e pa dhe u shthur me epsh më të madh. Kurvëroi më shumë se ç'kishte kurvëruar e motra. U dha me epsh pas asirianëve, qeveritarëve, zyrtarëve, ushtarëve të veshur e të ngjeshur, kalorësve kaluar mbi kuaj, të gjithë të rinj joshës. E pashë se ishte përlyer dhe të dyja silleshin njësoj. Ajo i shumëzoi kurvëritë. Shikoi burrat e gdhendur në mur, shëmbëllimet e kaldenjve, vizatuar me të kuqe, me brez në ijë, me kësula të gjera në kokë, të cilët dukeshin të gjithë si luftëtarë, të ngjashëm me babilonasit, me prejardhje nga dheu i Kaldesë. Kur i pa me sy, e zuri epshi për ta dhe u dërgoi lajmëtarë në Kalde. Kaldenjtë u futën tek ajo në shtratin e dashurisë, e ndotën me kurvërinë e tyre dhe ajo u ndot me ta gjersa iu neverit. Pasi e shfaqi kurvërinë e vet dhe e zbuloi lakuriqësinë, edhe unë u neverita prej saj, siç isha neveritur prej së motrës. Por ajo i shumëzoi kurvëritë, në kujtim të ditëve të rinisë së saj, kur kurvëronte në dheun e Egjiptit. E zuri epshi për dashnorët që e kishin si të gomarëve e derdheshin si hamshorët. Ti e dëshirove shthurjen e rinisë sate, kur në Egjipt të preknin thithkat, gjinjtë e tu vashëror. Prandaj, Oholiba, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po i ngre kundër teje dashnorët e tu, të cilët t'u neveritën. Do t'i sjell kundër teje prej gjithandej: babilonasit dhe të gjithë kaldenjtë, Pekodin, Shoanë, Koanë dhe të gjithë asirianët me ta. Ata janë të rinj tërheqës, qeveritarë, zyrtarë, të gjithë luftëtarë e të gjithë kalorës në zë. Do të vijnë kundër teje nga veriu me karroca, me koçi e me turma popujsh. Do të rreshtohen kundër teje nga çdo anë me shqyt, me parzmore e me përkrenare. Atyre ua kam lënë gjykimin dhe do të të gjykojnë sipas gjykimit të tyre. Do ta hedh kundër teje smirën time dhe ata do të sillen egërsisht me ty. Do të të presin hundën dhe veshët, ndërsa të mbijetuarit do të bien prej shpatës. Do t'i shpërngulin bijtë e bijat e tu dhe ata që do të mbesin do t'i përpijë zjarri. Do të t'i zhveshin petkat e do të t'i heqin stolitë. Do t'i jap fund shthurjes sate e kurvërisë sate në Egjipt. Nuk do ta ngresh më shikimin drejt tyre e nuk do të të bjerë më ndër mend Egjipti. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po të lë në dorë të atyre që të urrejnë, në dorë të atyre që ta neveritin shpirtin. Do të veprojnë me urrejtje ndaj teje e do të ta rrëmbejnë tërë fitimin. Do të të lënë lakuriq e zbuluar, do të dalë në pah lakuriqësia e kurvërisë sate, shthurja e lavirësisë sate. Kështu do të veprojnë me ty, sepse më tradhtove me kombet, se u ndote me idhujt e tyre. Ti shkove udhës së motrës sate, prandaj do të ta dorëzoj ty kupën e saj. Kështu thotë Zoti im, Zoti: do të ngopesh me dehje e me pikëllim. Kupë tmerri e shkretimi ishte kupa e motrës sate, Samarisë. Ti do ta pish e do ta shterësh, do t'ia bluash grimcat, do t'ia çjerrësh gjinjtë, sepse unë fola, kumton Zoti im, Zoti. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë më harrove mua e më hodhe pas shpine, do të marrësh përsipër shthurjen dhe kurvërinë tënde». Zoti më tha: «Bir i njeriut, a do ta gjykosh ti Oholanë dhe Oholibanë? A do t'ua tregosh pështirësinë e tyre? Ato bënë kurorëshkelje dhe duart i kanë me gjak. Bënë kurorëshkelje me idhujt e tyre dhe u flijuan për ushqim bijtë e vet që m'i kishin lindur mua. Më bënë edhe këtë: e ndotën shenjtëroren time atë ditë dhe i përdhosën të shtunat e mia. Pasi i therën bijtë e vet për idhujt, erdhën në shenjtëroren time po atë ditë, për ta përdhosur. Ja, kështu vepruan në mes të shtëpisë sime. Për më tepër, thirrën të vinin nga larg edhe disa burra, të cilëve u dërguan një lajmëtar, dhe, ja, ata erdhën. Për ata u lave, leve sytë e vure stoli. U ule në një shtrojë madhështore, para një tryeze të shtruar, mbi të cilën vure temjanin e vajin tim. Tek ajo dëgjohej zëri i një turme të qetë. Këtyre burrave iu bashkuan shumë njerëz, pijanecë sabaitë nga shkretëtira, që kishin vënë rrathë në duar e kurora të hijshme në kokë. Atëherë, për atë që ishte lodhur me kurvëri, thashë: me kurvërinë e saj do të kurvërojnë ata dhe ajo vetë. Hynë tek ajo siç hyhet te gruaja lavire. Ashtu hynë te Oholaja e te Oholibaja, gra të përdala. Por burrat e drejtë do t'i gjykojnë ato me gjykimin e kurorëshkelseve dhe me gjykimin e gjakderdhëseve, se ato e shkelën kurorën dhe duart i kanë me gjak». Se kështu thotë Zoti im, Zoti: «Lësho turmën kundër tyre, për t'i tmerruar e për t'i plaçkitur. Le t'i vrasin me gurë e t'i therin me shpata. Le t'ua vrasin bijtë e bijat dhe t'ua djegin shtëpitë me zjarr. Do ta fshij nga dheu shthurjen, që ta marrin vesh të gjitha gratë e të mos veprojnë sipas shthurjes suaj. Do ta hedhin kundër jush shthurjen tuaj e ju do të mbartni mëkatin e idhujtarisë suaj. Kështu do ta merrni vesh se unë jam Zoti, Zoti vetë». Në vitin e nëntë, në muajin e dhjetë, në ditën e dhjetë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, shkruaje emrin e ditës, pikërisht të kësaj dite. Mbreti i Babilonisë i është sulur Jerusalemit në këtë ditë. Tregoji një shëmbëlltyrë fisit kryeneç e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti: vëre kusinë, vëre! Hidhja edhe ujin! Qitja copat e mishit, të gjitha copat e mira, kofshën dhe shpatullën, mbushe me kockat e përzgjedhura, merr ajkën e grigjës, vër edhe pirgun e urëve nën të, vloje me valë, që edhe kockat brenda saj të ziejnë. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë qyteti gjakatar, kusi e ndryshkur që nuk i ka dalë ndryshku. Nxirr prej andej një copë pas tjetrës, pa hedhur short në të! Se ai derdhi gjak në mesin e vet, e zbrazi mbi shkëmbin e zhveshur, nuk e derdhi përtokë, për ta mbuluar me pluhur. Për ta shfryrë zemërimin, për të marrë hak, e vura gjakun e tij mbi shkëmbin e zhveshur, që të mos mbulohet. Prandaj, kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë qyteti gjakatar! Edhe unë do ta ngre pirgun e madh. Shumoi drutë, ndize zjarrin, zieje mishin krejt, përzieji erëzat e le të digjen kockat. Vëre të zbrazur mbi prush, që të nxehet, t'i skuqet bakri, të shkrihet papastërtia në mesin e saj e t'i soset ndryshku. E lodhën mundimet, por nuk i del me zjarr ndryshku i saj i madh. Unë do të të pastroja, por ti nuk u pastrove nga papastërtitë e tua, prandaj për shkak të papastërtisë sate të shthurur, nuk do të pastrohesh më deri kur të reshtë zemërimi im ndaj teje. Unë, Zoti, fola. Do të veproj e nuk do të ndalem. Nuk do të kem dhembshuri e nuk do të kem mëshirë. Do të të gjykoj sipas sjelljeve të tua dhe sipas bëmave të tua, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ja, po ta heq befas dëshirimin e syve, por mos u anko, mos qaj e mos derdh lot. Psherëti në heshtje e mos mbaj zi për të vdekurit. Lidhe kësulën e mbathi sandalet në këmbë. Mos u mbulo gjer mbi buzë e mos e ha bukën e njerëzve». Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes veprova siç më ishte urdhëruar. Populli më pyeti: «A s'do të na e tregosh kuptimin e këtyre që po bën?». Unë u përgjigja: «Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e përdhos shenjtëroren time, krenarinë e fuqisë suaj, dëshirimin e syve tuaj dhe dashurinë e shpirtit tuaj. Bijtë e bijat tuaja, që i latë atje, do të bien prej shpatës. Ju do të bëni siç bëra unë. Nuk do të mbuloheni gjer mbi buzë dhe nuk do ta hani bukën e njerëzve. Do t'i mbani kësulat në kokë dhe sandalet në këmbë. Nuk do të vajtoni, por as do të qani. Do të breheni nga fajet tuaja e do të shfryni kundër njëri-tjetrit. Ezekieli do të jetë shenjë për ju. Kur të ndodhin këto, ju do të veproni si ai dhe do të merrni vesh se unë jam Zoti. Ti, bir i njeriut, në ditën kur do t'ua heq atyre fortesën, gëzimin dhe hijeshinë e tyre, dëshirimin e syve të tyre, lehtësinë e shpirtit të tyre, bijtë dhe bijat e tyre, atë ditë do të vijë te ti një ikanak, për të të njoftuar. Atë ditë do të të hapet goja, për të folur me ikanakun. Do të flasësh e nuk do të jesh më i pagojë. Do të jesh shenjë për ta dhe ata do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, drejtohu drejt bijve të Amonit dhe profetizo kundër tyre. Thuaju bijve të Amonit: dëgjojeni fjalën e Zotit tim, Zotit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë ti the “sa mirë!”, për shenjtëroren time që u përdhos, për dheun e Izraelit kur u shkretua dhe për shtëpinë e Judës kur u shpërngul, për këtë, ja, po të dorëzoj në pronësi te njerëzit e lindjes. Ata do të vendosin te ti fushimet e veta dhe do të vënë banesat te ti. Frytet e tua do t'i hanë ata dhe qumështin tënd do ta pinë ata. Rabahun do ta bëj kullotë për devetë dhe qytetet e Amonit vathë delesh. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë trokite duart, përplase këmbët dhe u gëzove me shpirt me tërë qesëndinë tënde për dheun e Izraelit, për këtë, ja, unë e zgjata dorën kundër teje e do të të dorëzoj te kombet si plaçkë. Do të të zhduk nga popujt e do të të shfaros nga vendet. Do të të shkatërroj e do ta marrësh vesh se unë jam Zoti ». Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Meqë Moabi e Seiri thanë: “Ja, shtëpia e Judës është si të gjitha kombet”, për këtë, ja, do t'ia çaj shpatullën Moabit, do ta lë brenda kufijve të tij pa qytete, pa qytetet që janë stolia e dheut: Bet Jeshimoti, Baal Meoni e Kirjataimi. Do t'ua jap në pronë bijve të lindjes, siç u dhashë amonitët, që amonitët të mos kujtoheshin më ndër kombe. Do ta kryej gjykimin në Moab e ata do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Meqë Edomi u hakmor vetë ndaj shtëpisë së Judës dhe u ngarkua me faj të madh, duke u hakmarrë kundër tyre, për këtë, kështu thotë Zoti im, Zoti: do ta shtrij dorën kundër Edomit, do të shfaros njerëz e kafshë dhe do ta kthej në shkretëtirë. Nga Temani deri në Dedan do të bien prej shpatës. Do të kryej hakmarrjen time kundër Edomit me anë të popullit tim, Izraelit, që do të veprojë me Edomin sipas zemërimit tim e sipas hidhërimit tim. Atëherë do ta njohin hakmarrjen time, kumton Zoti im, Zoti ». Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Meqë filistinët vepruan me hakmarrje dhe morën hak me përçmim në shpirt, për të shkatërruar me armiqësi të përhershme, për këtë, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e shtrij dorën kundër filistinëve. Do t'i shfaros keretitët dhe do ta rrënoj pjesën tjetër të bregdetit. Do të kryej hakmarrjen e madhe kundër tyre me ndëshkime të furishme dhe ata do ta marrin vesh se unë jam Zoti pasi ta kem zbrazur kundër tyre zemërimin tim». Në vitin e njëmbëdhjetë, në ditën e parë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, meqë Tiri tha për Jerusalemin: “Sa mirë, u thye porta e popujve, u kthye kah unë! Tani unë do të begatohem, se ajo u shkretua!”, për këtë, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku jam kundër teje, Tir. Do të ngre shumë kombe kundër teje, siç ngre deti dallgët e veta. Do t'i rrënojnë muret e Tirit e do t'ia shembin kullat. Edhe pluhurin do ta fshij prej tij dhe do ta bëj rrasë të zhveshur. Në mes të detit do të bëhet vend për të ndehur rrjetat, sepse unë fola, kumton Zoti im, Zoti. Do të bëhet pre për kombet dhe bijat e saj do të vriten me shpatë nëpër ara. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po sjell nga veriu kundër Tirit Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, karroca e kalorës, me hordhi e me një popull të madh. Do t'i vrasë bijat e tua me shpatë nëpër ara, do të vërë rrethimin kundër teje, do të ngrejë ledh kundër teje dhe do të nxjerrë shqytin kundër teje. Do t'i gjuajë muret e tua me goditjet e deshve të tij dhe me shpatat e tij do t'i shembë kullat e tua. Prej dendurisë së kuajve të tij do të mbulohesh me pluhur. Do të tranden muret e tua prej gjëmimit të kalorësve, të rrotave e të karrocave, kur të hyjë nëpër portat e tua, siç hyhet në qytetin e rënë. Me thundrat e kuajve të tij do t'i shkelë të gjitha rrugicat e tua, do ta vrasë me shpatë popullin tënd dhe do të shemben përdhe shtyllat e fuqisë sate. Do ta përlajnë pasurinë tënde dhe mallin do të ta plaçkisin. Do t'i shembin muret e tua, do t'i rrëzojnë pallatet e tua të hijshme dhe në mes të detit do t'i flakin gurët e tu, drurët dhe pluhurin tënd. Do ta shuaj tingullin e këngëve të tua dhe nuk do të dëgjohet më zëri i lirave të tua. Do të të bëj si shkëmbin e zhveshur. Do të jesh vendi ku ndehen rrjetat. Nuk do të ndërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, kumton Zoti im, Zoti. Kështu thotë Zoti im, Zoti, për Tirin: a nuk do të dridhen ishujt nga fërgëllima e rrëzimit tënd, nga rënkimi i të plagosurve, kur në mesin tënd do të ndodhë theroria? Të gjithë princat e detit do të zbresin nga fronet e veta, do të heqin pelerinat dhe do të zhveshin petkat e larmishme. Do të vishen me drithërima, do të ulen përdhe, do të dridhen çdo çast dhe do të tronditen prej teje. Do t'ia nisin vajit për ty e do të të thonë: si u rrënove, o e banuar me bregdetas, o qytet bujëmadh, i pushtetshëm në det! Ai dhe banorët e tij u shtinin tmerrin të gjithë banorëve të vet. Tani tranden ujdhesat, në ditën e rrëzimit tënd, tremben ishujt e detit në ditën e perëndimit tënd. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: pasi të të kem kthyer në një qytet të shkretuar, siç janë qytetet e pabanuara, pasi të kem ngritur kundër teje humnerën dhe të të kenë mbuluar ujërat e rrëmbyeshëm, do të të zbres me ata që zbresin në gropë, drejt një populli të dikurshëm, dhe do të të vendos të banosh në dheun e thellë, në shkretimet e kahershme, me ata që zbresin në gropë, që ti të mos kesh më banorë. Atëherë do të vendos hijeshinë në tokën e të gjallëve. Do të të lë në dorë të tmerrit e nuk do të jesh më. Do të të kërkojnë, por nuk do të gjendesh kurrë më, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Ti, bir i njeriut, nise vajtimin për Tirin e thuaji Tirit, që gjendet ndanë detit, që shkëmben me popujt e ishujve të shumtë, se kështu thotë Zoti im, Zoti: ti thoshe, o Tir: “Bukuria ime është e përkryer”. Në mes të detit janë kufijtë e tu, ndërtuesit e tu ta përsosën bukurinë. Brinjët t'i ndërtuan të gjitha me qarr Seniri, morën cedër Libani për të të bërë direkun. Me lisa Bashani t'i bënë rremat, kuvertën ta bënë me fildish ndërthurur me qiparis Kitimi. Endur me li larushor Egjipti ishte mbuloja jote, që ta përdorje si emblemë. Blu me purpur nga ishujt e Elishahut ishte bashi yt. Banorët e Sidonit dhe të Arvadit ishin rremtarët e tu, mjeshtrat e tu, o Tir, ishin lundërtarët e tu. Pleqtë e Gebalit e mjeshtrat e tij gjendeshin te ti për të ndrequr plasaritjet. Të gjitha anijet e detit bashkë me detarët ndaleshin te ti për të shkëmbyer mallra me ty. Persia, Ludi e Puti ishin luftëtarë në ushtrinë tënde. Të vinin shqytin e përkrenaren e të jepnin hijeshi. Bijtë e Arvadit dhe ushtria e tyre ishin rreth mureve të tua. Gamaditët gjendeshin te kullat e tua. I varnin shqytet rreth mureve të tua. E përsosnin bukurinë tënde. Tarshishi shkëmbente me ty tërë begatinë e pasurisë sate: argjend, hekur, kallaj e plumb këmbenin me mallrat e tua. Javani, Tubali e Mesheku shkëmbenin me ty. Njerëz dhe enë bronzi këmbenin me mallrat e tua. Nga Bet Togarmahu këmbenin kuaj, kalorës e mushka me mallrat e tua. Bijtë e Dedanit shkëmbenin me ty. Kishe në dorë mallin e shumë ishujve. Të sillnin si shpërblim brirë të fildishtë dhe eban. Arami shkëmbente me ty falë begatisë së prodhimeve të tua dhe i këmbente mallrat e tua me granat, purpur, qëndisma, li, korale e rubin. Juda dhe toka e Izraelit shkëmbente me ty. I këmbenin mallrat e tua me drithë Miniti, me ëmbëlsira, me mjaltë, me vaj e balsam. Damasku shkëmbente me ty, me begatinë e prodhimeve të tua, me begatinë e tërë mirëqenies sate, me verën e Helbonit dhe leshin e Caharit. Vedani e Javani nga Uzali shkëmbenin mallrat e tua: hekur i farkëtuar, kanellë e kallam ishin mallrat e tua. Dedani këmbente me ty beze për shalë kali. Arabia dhe të gjithë princat e Kedarit shkëmbenin me ty. Me qengja, desh e cjep bënin trambë. Tregtarët e Shebës e të Ramahut shkëmbenin me ty. I shkëmbenin mallrat e tua me tërë erëzat më të mira, me tërë gurët e çmuar dhe me ar. Harani, Kanehu dhe Edeni, tregtarët e Shebës, të Ashurit e Kilmadit shkëmbenin me ty. Ata shkëmbenin me ty, në tregjet e tua, petkat e hijshme, coha të purpurta e qëndisma, tapete larushore, litarë të dredhur e të fortë. Anijet e Tarshishit udhëtonin për ty me mallrat e tua dhe ti ishe e ngopur dhe fort e rënduar në zemrën e detit. Në det të hapur të çuan rremtarët, por në zemrën e detit të theu era e lindjes. Pasuria jote, mallrat e tua dhe kamja jote, detarët dhe drejtuesit e tu, ndreqësit e plasaritjeve të tua, këmbyesit e mallrave të tua, tërë luftëtarët që janë në ty dhe tërë turma që është në mesin tënd, do të bien në zemrën e detit në ditën e rrëzimit tënd. Nga tingulli i britmës së drejtuesve të tu do të tranden lëndinat. Do të zbresin rremtarët nga anijet, detarët dhe të gjithë drejtuesit në tokë do të mbesin. Do të bërtasin me zë për ty, do ta lartësojnë britmën e tyre të hidhur. Do të hedhin pluhur mbi kokë e në pluhur do të rrokullisen. Për shkakun tënd do ta rruajnë kokën e do të vishen me grathore. Do të vajtojnë për ty me shpirt të hidhëruar, me gjëmë të hidhur. Me gjëmë do të ngrenë mbi ty vajtimin e do të vajtojnë mbi ty: kush ishte si Tiri, rrënuar në mes të detit? Kur vinin mallrat e tua nga detet, kënaqje shumë popuj. Me begatinë e pasurive e me mallrat e tua i pasuroje mbretërit e tokës. Tani je thyer prej detit në thellësitë e ujit. Mallrat e tua u fundosën tok me detarët e tu. Tërë banorët e ishujve janë të tmerruar prej teje. Mbretërit e tyre dridhen e përdridhen, fytyrat u janë zbehur. Tregtarët e popujve fërshëllejnë për ty, u bëre i frikshëm. Kurrë më nuk do të jesh». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, thuaji prijësit të Tirit se kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë t'u rrit mendja, the: “Unë jam Perëndi, ulem në fronin e perëndive, në zemër të detit”. Ndonëse je njeri e jo perëndi, por të është mbushur mendja se ke mendje perëndish, ja, ti je më i urtë se Danieli, asnjë fshehtësi nuk të përvidhet. Me urti e mençuri mblodhe pasuri, vure ar e argjend në thesaret e tua. Me nuhatjen tënde të madhe për tregti, e shtove pasurinë, por t'u rrit mendja për shkak të pasurisë. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë t'u mbush mendja se ke mendje perëndish, për këtë, ja, do të dërgoj kundër teje të huajt, kombet më mizore. Ata do të marrin shpatat kundër urtisë sate të hijshme e do ta përdhosin hijeshinë tënde. Do të të plandosin në gropë e do të vdesësh me vdekjen e të therurve në zemër të detit. A përsëri do të thuash: “Unë jam Perëndi”, përballë vrasësve të tu? Por njeri je ti e jo Perëndi, në dorë të thertarëve të tu. Do të vdesësh siç vdesin të parrethprerët, nga dora e të huajve, se unë fola, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, nis vajtimin për mbretin e Tirit e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti: ti ishe vula e përsosurisë, plot urti e me bukuri të përkryer. Ti ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë. Çdo gur të çmuar kishe për mbulojë: rubin, krisolit e smerald, topaz, oniks e diaspër, safir, granat e beril. Me zeje ari ishin lodrat e tua, gdhendjet e tua në ditën e krijimit tënd qenë bërë gati. Ishe si kerub mbrojtës krahëhapur. Të vura mbi malin e shenjtë të Perëndisë e mbi gurë të zjarrtë ecje. Të përsosura i kishe sjelljet që nga dita kur u krijove deri kur u gjet te ti paudhësia. Për shkak të begatisë së shkëmbimeve të tua, u dende me dhunë në mesin tënd e mëkatove. Atëherë të flaka si të përdhosur nga mali i Perëndisë e të shkatërrova, o kerub mbrojtës, nga mesi i gurëve të zjarrtë. T'u rrit mendja nga bukuria jote, t'u çart urtia për shkak të bukurisë. Të hodha përtokë e të flaka para mbretërve, që të shihnin shfaqje te ti. Me teprinë e fajeve të tua, me dredhitë e shkëmbimeve të tua, i përdhose shenjtëroret e tua, prandaj qita flakë prej teje e ajo të përlau. Të ktheva në pluhur mbi dhe para syve të të gjithë shikuesve. Tërë sa të njohin ndër popuj tmerrohen me ty. U bëre i frikshëm, more fund përgjithmonë». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, sillu drejt Sidonit dhe profetizo kundër tij. Thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku më ke kundër teje, o Sidon! Do të përlëvdohem në mesin tënd. Do ta marrin vesh se unë jam Zoti pasi të kem shpallur gjykimin në të, pasi të kem vendosur në të shenjtërinë time. Do të dërgoj kundër tij murtajën dhe gjaku do të rrjedhë udhëve të tij. Në mes të tij do të bien të therurit prej shpatës, që gjithandej do t'i rrethojë, e do ta marrin vesh se unë jam Zoti. Nuk do të ketë më gjilpërë therëse për shtëpinë e Izraelit, as gjemb lëndues nga të gjithë ata që e rrethojnë me përçmim. E do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Zoti vetë. Kështu thotë Zoti im, Zoti: kur ta mbledh shtëpinë e Izraelit prej popujve ku janë shpërndarë dhe kur ta shfaq shenjtërinë time në ta para syve të kombeve, ata do të banojnë në tokën e vet që ia pata dhënë Jakobit, shërbëtorit tim. Do të jetojnë aty të qetë, do të ndërtojnë shtëpi e do të mbjellin vreshta. Do të jetojnë të qetë, kur të zbatoj gjykimet kundër të gjithë atyre që i rrethonin me përçmim. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Perëndia i tyre». Në vitin e dhjetë, në muajin e dhjetë, më dymbëdhjetë të atij muaji, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, sillu kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe profetizo kundër tij e kundër mbarë Egjiptit. Fol e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku më ke, kundër teje, o faraon, mbreti i Egjiptit, përbindësh i madh shtrirë mes rrjedhave të tij, që ke thënë: “Nili është i imi, e krijova për vete”. Do t'i mbërthej me ganxha nofullat e tua, do të t'i ngjis pas luspave peshqit e rrjedhave të tua. Do të të ngre nga mesi i rrjedhave të tua bashkë me peshkun e rrjedhave që do të të ngjitet pas luspave. Do të të dëboj në shkretëtirë, ty dhe tërë peshqit e rrjedhave të tua. Do të biesh në fushë të hapur e nuk do të mblidhesh, as do të bashkohesh. Do të të bëj ushqim për egërsirat e dheut e për zogjtë e qiellit. Do ta marrin vesh të gjithë banorët e Egjiptit se unë jam Zoti. Se ti ishe shkop kallami për shtëpinë e Izraelit. Kur të kapën me dorë, u shkërmoqe dhe ua gërvishte supet. Kur u mbështetën te ti, u theve dhe ua përdrodhe ijët. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do të dërgoj shpatën kundër teje e do të zhduk prej teje njerëz e kafshë. Dheu i Egjiptit do të bëhet shkretim e rrënim dhe do ta marrin vesh se unë jam Zoti. Meqë ai tha: “Nili është i imi. Unë e krijova”, për këtë, ja ku më ke kundër teje e kundër rrjedhave të tua. Do ta kthej tokën e Egjiptit në djerrinë, shkretim e rrënim nga Migdoli në Sieneh e deri në kufi me Kushin. Nuk do të kalojë në të këmbë njeriu, as këmbë kafshe nuk do të kalojë në të. Për dyzet vjet nuk do të banohet. Do ta shkretoj tokën e Egjiptit mes vendeve të shkretuara. Qytetet e tij do të jenë të rrënuara për dyzet vjet mes qyteteve të shkretuara. Do t'i hapërdaj egjiptianët nëpër kombe e do t'i përhap nëpër vende të tjera. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: pas dyzet vjetësh do t'i mbledh egjiptianët prej popujve ku do t'i kem hapërdarë, do t'i kthej në dheun e Patrosit, në dheun e prejardhjes së tyre, dhe do të bëhen aty një mbretëri e vogël. Do të jetë më e vogla ndër mbretëritë dhe nuk do të krekoset më përmbi kombe. Do t'i bëj të vegjël, që të mos sundojnë ndër kombe. Ai nuk do të jetë më siguri për shtëpinë e Izraelit, por kujtesë për fajin e kohës kur u drejtoheshin atyre. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Zoti vetë». Në vitin e shtatëdhjetë e shtatë, në muajin e parë, ditën e parë të atij muaji, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e lodhi dhe e kapiti ushtrinë e vet kundër Tirit. Të gjitha kokat janë shogur dhe të gjitha supet janë zhveshur, por nuk kanë marrë shpërblim nga Tiri, as për vete, as për ushtrinë e vet, për mundin që hoqën kundër tij. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do t'ia jap tokën e Egjiptit Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. Ai do t'ia marrë pasurinë dhe do të plaçkisë çfarë ka për të plaçkitur. Ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij. Si shpërblim për mundin që hoqi kundër tij, do t'i jap tokën e Egjiptit, sepse vepruan për mua, kumton Zoti im, Zoti. Atë ditë do t'ia rris fuqinë shtëpisë së Izraelit e do të ta hap gojën mes tyre. Kështu do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, profetizo e thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: vajtoni: vaj për atë ditë! Se afër është dita, afër është dita e Zotit, ditë e zymtë do të jetë dita e kombeve. Shpata do të bjerë kundër Egjiptit, do ta zërë ankthi Kushin, kur të bien të therurit në Egjipt. Pasuritë e tij do të rrëmbehen, do të shkërmoqen themelet e tij. Kushi, Puti, Ludi, gjithë Arabia e Kubi, të gjithë popujt e tokës së besëlidhjes do të bien prej shpatës bashkë me ta. Kështu thotë Zoti: do të bien mbështetësit e Egjiptit, do të marrë tatëpjetën fuqia e tij e krekosur. Nga Migdoli deri në Sieneh prej shpatës do të bien, kumton Zoti im, Zoti. Do të shkretohen në mes të vendeve të shkretuara, qytetet e tij do të jenë mes qyteteve të rrënuara. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, kur t'i kem vënë zjarrin Egjiptit, kur të jenë thyer të gjithë ndihmësit e tij. Atë ditë do të dalin prej meje lajmëtarë nëpër anije, për ta trandur Kushin e qetë. Do t'i zërë ankthi në ditën e Egjiptit, se, ja, po vjen. Kështu thotë Zoti im, Zoti: Do t'ia shuaj pasurinë Egjiptit me anë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. Ai dhe populli i tij, më mizori ndër kombe, do të sillen për ta shkretuar vendin. Do të rrokin shpatat kundër Egjiptit e do ta mbushin tokën me të therur. Do ta thaj Nilin e do t'ua shes tokën të ligjve. Do ta shkretoj vendin me gjithë ç'ka në të me anë të të huajve. Unë, Zoti, kam folur. Kështu thotë Zoti im, Zoti: do t'i shkatërroj idhujt e do t'i shuaj shëmbëllesat e Memfisit. Nuk do të ketë më udhëheqës nga dheu i Egjiptit e do t'i shtie tmerrin tokës së Egjiptit. Do ta shkatërroj Patrosin, do t'i vë zjarrin Coanit e do të zbatoj gjykimin në No. Do ta zbraz zemërimin në Sin, fortesë e Egjiptit, do ta këpus turmën e Nosë. Do t'i vë flakën Egjiptit, Sinin do ta zënë dhimbje pas dhimbjesh, Noja do të çahet, Memfisin do ta zënë armiqtë gjatë ditës. Të rinjtë e Onit e të Pibesetit do të bien prej shpatës dhe gratë do të shkojnë në skllavëri. E errët do të jetë dita në Tahpanhes, kur ta copëtoj atje zgjedhën e Egjiptit. Atëherë do të marrë fund fuqia e tij e krekosur, reja do ta mbulojë dhe bijat do t'ia çojnë në skllavëri. Do të zbatoj gjyqin në Egjipt e do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Në vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e parë, më shtatë të atij muaji, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, ia theva krahun faraonit, mbretit të Egjiptit. Ja, nuk është lidhur për shërim. Nuk është shtrënguar me garza për ta forcuar, që të mbajë shpatën. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku jam kundër faraonit, mbretit të Egjiptit. Do t'ia thyej krahët, të fortin dhe të thyerin, që shpata t'i bjerë nga dora. Do t'i shpërndaj egjiptianët ndër kombe e do t'i hapërdaj ndër vende. Do t'ia forcoj krahun mbretit të Babilonisë e do t'i vë në dorë shpatën time. Do t'ia thyej krahët faraonit dhe ai do të rënkojë para tij, siç rënkon i plagosuri. Do t'ia forcoj krahët mbretit të Babilonisë, ndërsa faraonit do t'i lëshohen krahët. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, pasi t'ia kem vënë shpatën në dorë mbretit të Babilonisë e pasi ta shtrij drejt dheut të Egjiptit. Do t'i shpërndaj egjiptianët ndër kombe e do t'i hapërdaj ndër vende. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Në vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e tretë, në ditën e tretë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe turmës së tij: kujt i ngjan ti në madhështinë tënde? Ja, Asiria ishte cedër në Liban, me degë të bukura e me kurorë hijeplotë, shtatlartë, me degët që kapnin retë. Ujërat e kishin ushqyer, humnera e kishte lartësuar, me lumenjtë që rridhnin rreth dheut ku u mboll, me rrëketë lëshuar kah tërë pemët e fushës. Kështu u ngrit lart mbi pemët e fushës, me degë të zgjatura, me kurorë të dendur, falë ujërave të begata, kur buloi. Ndër degët e tij e vunë folenë të gjithë zogjtë e qiellit; nën degët e tij pollën të gjitha kafshët e fushës; nën hijen e tij u ulën të gjitha kombet e mëdha. Ishte i hijshëm në madhështinë e tij, me degët e gjata, se rrënjët i kishte në ujëra të begata. Cedrat nuk e mbulonin dot në kopshtin e Perëndisë; selvitë nuk përngjanin me kurorën e tij; asnjë pemë në kopshtin e Perëndisë nuk ngjante me të për hijeshi. E bëra të bukur, me degë të dendura, prandaj e lakmonin mbarë pemët e Edenit që gjendeshin në kopshtin e Perëndisë. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë u krekos për shkak të lartësisë së vet e i mbërriti maja ndër re dhe iu rrit mendja për shkak të lartësisë, do t'ia lë në dorë një princi të kombeve. Ai do të veprojë me të sipas ligësisë së tij. Unë e dëbova. Kombet e huaja mizore do ta zhbijnë e do ta braktisin. Nëpër male e në të gjitha luginat ranë degët e tij. U thyen filizat e tij dhe kurorat e tij u plandosën në të gjitha shpatet. U larguan nga hija e tij të gjithë popujt e tokës dhe e braktisën. Në trungun e tij të rënë vendohen të gjithë zogjtë e qiellit dhe në degët e tij prehen të gjitha kafshët e fushës, që të mos rritet lart asnjë pemë ndanë ujit e të mos i kapë retë maja e tyre, të mos ngrihen falë lartësisë së vet asnjë nga të parët e tyre, që ushqehen me ujë, se të gjithë do t'i falen vdekjes e nëndheut, mes bijve të njerëzve, drejt atyre që zbresin në gropë. Kështu thotë Zoti im, Zoti: ditën kur zbriti në skëterrë, unë shpalla zinë. E mbylla humnerën sipër tij, ia ndala lumenjtë dhe u shterën ujërat e shumtë. E bëra Libanin të vajtojë për të dhe të gjitha pemët e fushës u mekën prej saj. Kombet i bëra të dridhen nga ushtima e shembjes së tij, kur e plandosa në skëterrë, me ata që zbresin në gropë. U ngushëlluan në nëntokë të gjitha pemët e Edenit, më të zgjedhurat e më të mirat e Libanit, të gjitha të ushqyera me ujë. Edhe ato zbritën në skëterrë me të, me të therurit me shpatë. Ishin krahu i tij dhe banonin mes kombeve në hijen e tij. Me cilën ndër pemët e Edenit ngjason, ti kështu, për nga lavdia e madhështia? Do të plandosesh me pemët e Edenit në nëntokë. Me të parrethprerët do të banosh, me të therurit me shpatë. Ky është faraoni dhe tërë turma e tij, kumton Zoti im, Zoti ». Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, në ditën e parë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, merrja vajit për faraonin, mbretin e Egjiptit, e thuaji: si luani i kombeve ngjasoje, ishe si përbindëshi në det, vërsuleshe nëpër lumenjtë e tu, i turbulloje ujërat me këmbë e ua ndotje lumenjtë. Kështu thotë Zoti im, Zoti: do ta ndeh rrjetën time mbi ty, me bashkësinë e shumë popujve, e ata do të të ngrenë me rrjetën time. Do të të hedh përtokë, në arë do të të plandos, do të vendoj në ty të gjithë shpendët e qiellit, do të ngopen me ty gjallesat e mbarë dheut. Do ta përhap nëpër male mishin tënd, do t'i mbush luginat me kërmën tënde. Do ta vel tokën gjer në mal me çurgun e gjakut tënd e përrenjtë do të mbushen prej teje. Pasi të jesh shuar, do ta mbuloj qiellin, do t'ia errësoj yjet. Diellin me re do ta mbuloj e hëna nuk do të bëjë më dritë. Të gjithë dritëdhënësit e qiellit do t'i terratis mbi ty e do të pllakos errësirën në dheun tënd, kumton Zoti im, Zoti. Do t'ua trazoj zemrën shumë popujve, kur t'u jap lajmin e rrënimit tënd kombeve, vendeve që nuk i ke njohur. Do të çorodit shumë popuj për shkakun tënd. Mbretërit e tyre do të dridhen për shkakun tënd, kur ta vringëlloj shpatën para tyre. Do të tranden pareshtur, secili për jetën e vet, ditën e shembjes sate. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ju. Turmën tënde do ta rrëzoj me shpatën e trimave, të gjithë prej kombeve mizore. Do ta shkretojnë krenarinë e Egjiptit e do të shkretohet tërë turma e tij. Do t'ia shkatërroj të gjitha bagëtitë ndanë ujërave të begata. Nuk do t'i turbullojë më këmbë njeriu, as thundrat e kafshëve nuk do t'i turbullojnë. Atëherë do t'ua kthjelloj ujërat e lumenjtë e tyre si vaji do të rrëshqasin, kumton Zoti im, Zoti. Kur ta kem shkretuar dheun e Egjiptit, kur të jetë shkretuar dheu nga gjithçka që e mbushte, kur të kem goditur të gjithë banorët e tij, do ta marrin vesh se unë jam Zoti. Ky është vajtim e do të vajtohet. Bijat e kombeve do ta vajtojnë. Mbi Egjiptin e mbarë turmën e tij do ta vajtojnë, kumton Zoti im, Zoti. Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: bir i njeriut, vajto mbi turmën e Egjiptit e jepu tatëpjetën drejt nëndheut bashkë me ata që zbresin në gropë, atij e bijave të kombeve të fuqishme. Më i bukur se kush qenke ti? Zbrit e prehu me të parrethprerët. Do të bien mes të therurve me shpatë. U zhvesh shpata. Goditeni me mbarë turmën e tij. Prijësit guximtarë, në mes të skëterrës, do të thonë për të e për ndihmësit: kanë zbritur e janë prehur të parrethprerët dhe të therurit me shpatë. Aty është Asiria, me tërë hordhinë e vet. Rreth e rrotull i ka varret. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës. Varret e saj janë vënë në skaj të gropës dhe hordhitë i ka rreth varrit. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës që kall datën në dheun e të gjallëve. Aty është Elami, me turmën rreth varrit të vet. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës. Zbritën në nëntokë me të parrethprerët që kallin datën në dheun e të gjallëve. Mbartin turpin e vet me ata që zbresin në gropë. Mes të therurve ia vunë shtrojën, me mbarë turmën, me varret përreth. Të gjithë të parrethprerë, të rënë prej shpatës. Se i kallën datën tokës së të gjallëve dhe mbartin turpin e vet me ata që zbresin në gropë. Mes të therurve janë vendosur. Aty është Meshek Tubali dhe tërë turma e tij me varret përreth. Të gjithë të parrethprerë, të rënë prej shpatës, se i kallën datën dheut të të gjallëve. Nuk prehen me heronjtë ata që ranë prej të parrethprerëve, që zbritën në skëterrë me armët e luftës. Shpatat ua vunë nën kokë dhe ligësinë kishin nëpër eshtra, se i kallën datën dheut të të gjallëve. Edhe ti do të prehesh me të parrethprerët, me të rënët prej shpatës. Atje është Edomi, mbretërit e tërë princat e tij. Ata prehen me të therurit me shpatë, me të parrethprerët dhe me ata që zbresin në gropë, ndonëse ishin të fuqishëm. Atje janë, të turpëruar, mbarë udhëheqësit e veriut e mbarë sidonasit, që zbritën me të therurit, për shkak të tmerrit që shkaktuan me fuqinë e tyre. Prehen me të parrethprerët, me të therurit me shpatë, dhe mbartin turpin e atyre që zbresin në gropë. Faraoni do t'i shohë e do të ngushëllohet me tërë këtë turmë, faraoni dhe mbarë ushtria e tij, të therur me shpatë, kumton Zoti im, Zoti, se ia kalla datën dheut të të gjallëve. Faraoni me tërë turmën e tij prehet mes të parrethprerëve, me të therurit me shpatë, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, fol me bijtë e popullit tënd e thuaju: nëse ngre shpatën kundër një vendi, njerëzit e atij vendi do të marrin një burrë nga brenda kufijve e do ta caktojnë rojtar për ta. Nëse ai e sheh shpatën duke iu sulur vendit dhe i bie borisë për ta lajmëruar popullin, ai që e dëgjon zërin e borisë nuk e përfill lajmin, kur të vijë shpata e ta përlajë, gjaku do t'i bjerë mbi kokën e vet. Ai e dëgjoi zërin e borisë, por nuk e përfilli lajmin. Gjaku do t'i bjerë mbi kokën e vet. Po ta kishte pranuar lajmin, do ta kishte shpëtuar jetën. Por, nëse rojtari e sheh shpatën duke ardhur e nuk i bie borisë dhe populli nuk e merr lajmin, kur të vijë shpata e të përlajë ndonjërin prej tyre, ai do të përlahet për shkak të ligësisë së vet, por gjakun e tij do t'ia kërkoj rojtarit. Ty, bir i njeriut, të kam caktuar rojtar për shtëpinë e Izraelit. Kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, paralajmëroi nga ana ime. Nëse i them të paudhit: i paudhë, do të vdesësh, por ti nuk flet për ta paralajmëruar që të heqë dorë nga sjellja, ai, i paudhi, do të vdesë për fajin e vet, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. Por, nëse ti e paralajmëron të paudhin të heqë dorë nga sjellja e vet e të pendohet, por ai nuk pendohet, ai do të vdesë për fajin e vet e ti do të shpëtosh. Ti, bir i njeriut, thuaji shtëpisë së Izraelit: “Ju flisni e thoni: shkeljet dhe mëkatet tona ranë mbi ne e po kalbemi në to. Si do të mbetemi gjallë?”. Ti thuaju: pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, unë nuk gëzohem me vdekjen e të paudhëve, por që i paudhi të pendohet për sjelljen e vet e të jetojë. Pendohuni, pendohuni për sjelljet tuaja të liga. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? Ti, o bir i njeriut, thuaju bijve të popullit tënd: të drejtin nuk e shpëton drejtësia e vet, kur ai bën shkelje. I paudhi nuk do të pengohet në paudhësinë e vet, nëse pendohet për paudhësinë e vet. I drejti nuk mund të jetojë falë drejtësisë, nëse mëkaton. Nëse i them të drejtit: “Do të mbetesh gjallë”, por ai, i sigurt për drejtësinë e vet, bën padrejtësi, nuk do t'i kujtohet më asnjë veprim i drejtë, por do të vdesë në padrejtësinë që ka bërë. Nëse i them të paudhit: “Do të vdesësh” dhe ai pendohet për mëkatin e vet dhe bën të drejtën e drejtësinë, kthen pengun, shpaguan vjedhjen, i zbaton rregullat e jetës, jeton pa bërë padrejtësi, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. Nuk do t'i kujtohet asnjë nga mëkatet që pati bërë. Ai zbatoi të drejtën e drejtësinë dhe do të jetojë. Bijtë e popullit tënd thonë: “Nuk është e rregullt udha e Zotit”. Në të vërtetë, udha e tyre nuk është e drejtë. Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia dhe vepron me të drejtë e drejtësi, falë tyre do të jetojë. Ju thoni: “Nuk është e rregullt udha e Zotit”. Do ta gjykoj secilin prej jush sipas udhës së vet, o shtëpia e Izraelit. Në vitin e dymbëdhjetë të shpërnguljes sonë, në muajin e dhjetë, në ditën e pestë të muajit, erdhi tek unë një i ikur nga Jerusalemi e më tha: “Qyteti ra!”. Mbrëmjen para se të vinte i ikuri, dora e Zotit kishte qenë mbi mua dhe në mëngjes, kur mbërriti i ikuri, Zoti ma hapi gojën. M'u hap goja e nuk isha më memec. Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: bir i njeriut, banorët e këtyre djerrinave në tokën e Izraelit flasin e thonë: “Abrahami ishte një i vetëm dhe e kishte tokën për pronë, ndërsa ne jemi shumë. Neve na është dhënë toka për pronë”. Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ju e hani mishin me gjak, i ngrini sytë drejt idhujve, derdhni gjak dhe dashkeni ta keni tokën për pronë? Ju mbështeteni te shpatat tuaja, bëni pështirësi, secili çnderon gruan e të afërtit dhe dashkeni ta keni tokën për pronë? Po ashtu thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: pasha jetën time, ata që gjenden në djerrina do të bien prej shpatës. Ata që gjenden nëpër ara, do t'ua jap kafshëve për ushqim, ndërsa ata që janë nëpër fortesa e nëpër shpella, do të vdesin prej murtajës. Do ta katandis vendin në shkretim e djerrinë e do të marrë fund krekosja e fuqisë së tij. Do të shkretohen malet e Izraelit e nuk do t'i përshkojë askush. Do ta marrin vesh se unë jam Zoti kur ta kem tharë e shkretuar vendin e tyre, për shkak të gjithë pështirësive që kanë bërë. Sa për ty, bir i njeriut, bijtë e popullit tënd flasin për ty rrëzë mureve dhe te dyert e shtëpive të veta, i thonë njëri-tjetrit, secili të afërtit: “Ejani e dëgjoni çfarë është kjo fjalë që del nga Zoti!”. Vijnë te ti siç mblidhet populli, ulen para teje dhe i dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i zbatojnë, se veprojnë sipas gojës së tyre epshore e zemra u rend pas përfitimeve. Ja, ti je për ta si një këngë epshore, me zë të bukur, që u bie këndshëm veglave. Ç'thua ti e dëgjojnë, por nuk e zbatojnë. Por, kur do të ndodhë kjo dhe, ja, po ndodh, do ta marrin vesh se mes tyre gjendej një profet». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, profetizo kundër barinjve të Izraelit. Profetizo e thuaju pikërisht barinjve se kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten. A nuk duhet të kullotin grigjën barinjtë? Ju hani mishin e majmë, visheni me lesh, therni ato të majmet, por nuk e kullotni grigjën. Të mekurat nuk i keni mëkëmbur, të sëmurat nuk i keni shëruar, të lënduarat nuk i keni lidhur, të ndarën nuk e keni kthyer dhe të humburën nuk e keni kërkuar, por me forcë e me ashpërsi i keni sunduar. Janë shpërndarë, se nuk kanë bari. Janë bërë ushqim për të gjitha egërsirat e fushës, se janë shpërndarë. Janë hallakatur delet e mia. Nëpër të gjitha malet, nëpër të gjitha kodrat e larta e në mbarë faqen e dheut është shpërndarë grigja ime dhe nuk ka kush ta kërkojë, nuk ka kush ta gjurmojë. Prandaj, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit: pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, meqë grigja ime u bë pre dhe delet e mia u bënë ushqim për të gjitha egërsirat e fushës, ngaqë nuk kanë bari, se barinjtë e mi nuk i kanë kërkuar delet e mia, por barinjtë kanë kullotur veten e nuk kanë kullotur grigjën time, për këtë, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit tim, Zotit: kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë jam kundër barinjve. Do t'u kërkoj llogari për grigjën time e do t'ua heq rojtarinë e deleve të mia. Barinjtë nuk do të kullotin më veten, se do t'i shpëtoj delet e mia nga goja e tyre e nuk do të jenë më ushqim për ta. Se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë vetë do t'i kërkoj delet e mia e do t'i këqyr. Siç e këqyr bariu grigjën e vet, kur është mes deleve të shpërndara, kështu do t'i këqyr unë delet e mia dhe do t'i shpëtoj nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në ditë me re e me terr. Do t'i nxjerr prej popujve dhe do t'i sjell nga vendet e tjera drejt tokës së tyre. Do t'i kullot nëpër malet e Izraelit, nëpër shpate dhe në të gjitha vendbanimet e vendit. Në kullota të mira do t'i kullot. Mbi malet e lartësive të Izraelit do ta kenë livadhin. Atje do të shtrihen mbi livadhe të mira e në kullota të majme do të hanë, në malet e Izraelit. Unë do ta kullot grigjën time, unë vetë do ta mërzej, kumton Zoti im, Zoti. Do të kërkoj të humburën dhe do të kthej të ndarën. Do t'i lidh plagën të lënduarës dhe të sëmurën do ta forcoj. Do të kujdesem për të majmen dhe për të mëkëmburën. Do t'i kullot me drejtësi. Për ty, grigja ime, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë gjykoj mes deles e deles, mes deshve e cjepve. A ju duket pak që kullotni në kullotën e mirë, që shkelni kullotat që ju teprojnë? Ju hyni me këmbë për të pirë ujin e kulluar dhe çfarë tepron e turbulloni me këmbë. Grigja ime duhet të kullotë ç'keni shkelur me këmbë dhe të pijë ç'keni turbulluar me këmbë. Prandaj kështu u thotë Zoti im, Zoti: ja unë vetë do të gjykoj mes deles së majme e deles së hajthme. Meqë shtytë me bri e me sup dhe i gjuajtët me brirë tërë të dobëtat, derisa i shpërndatë përjashta, unë do t'i shpëtoj delet e mia dhe nuk do të jenë më pre. Do të gjykoj mes deles e deles. Do të caktoj mbi to një bari të vetëm. Do t'i kullotë shërbëtori im, Davidi. Ai do t'i kullotë e do të jetë bariu i tyre. Dhe unë, Zoti, do të jem Perëndia i tyre, ndërsa shërbëtori im, Davidi, do të jetë princ mes tyre. Unë, Zoti, fola. Do të bëj me to një besëlidhje paqeje dhe do t'i zhduk kafshët e egra nga vendi. Atëherë do të banojnë të qeta në shkretëtirë e do të flenë nëpër pyje. Do t'i bëj bekim ato dhe rrethinat e rreth kodrës sime. Do të dërgoj shiun në stinën e duhur e do të jenë shira të bekuar. Pemët e fushës do t'i japin frytet e veta. Edhe toka do t'i japë prodhimet e veta e ato do të rrinë e do të banojnë të qeta në tokën e tyre. Do ta marrin vesh se unë jam Zoti kur t'i copëtoj shulat e zgjedhës së tyre e kur t'i liroj nga dora e nënshtruesve. Nuk do të jenë më preja e kombeve e nuk do t'i hanë më egërsirat e dheut. Do të banojnë të qetë e askush nuk do t'i trembë. Unë do t'u përgatit vende të blerta, që të mos i brejë zija e bukës në vend e të mos i ndrydhë përçmimi i kombeve. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Perëndia i tyre me ta, e ata, shtëpia e Izraelit, janë populli im, kumton Zoti im, Zoti. Ju jeni delet e mia, njerëzit e kullotës sime, e unë jam Perëndia juaj, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, sillu me fytyrë kundër malit të Seirit dhe profetizo kundër tij. Thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë jam kundër teje, o mali Seir. Do ta ngre dorën kundër teje dhe do të të kthej në shkretim e djerrinë. Do t'i rrënoj qytetet e tua dhe ti do të bëhesh shkretim. Atëherë do ta marrësh vesh se unë jam Zoti. Meqë ti mbajte armiqësi të përhershme dhe ia dorëzove popullin e Izraelit pushtetit të shpatës në kohën e fatkeqësisë së tyre, kur fajësia e tyre kishte prekur fundin, për këtë, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, do të të ndëshkoj me gjak dhe gjaku do të të ndjekë. Meqë nuk u ngope me gjak, gjaku do të të ndjekë. Do ta kthej malin Seir në shkretim e në djerrinë e do t'i zhduk prej tij ata që shkojnë e vijnë. Do t'i mbush malet e tyre me të therur. Të therurit nga shpata do të bien nëpër malet e tua, nëpër luginat e nëpër shpatet e tua. Do të të kthej në shkretim të përhershëm dhe qytetet e tua do të mbeten pa banorë. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Meqë ti the: “Këto dy kombe e këto dy vende do të jenë të miat e do t'i marrim për pronë”, edhe pse atje është Zoti, për këtë, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, do të veproj siç i takon zemërimit e smirës që patët për shkak të urrejtjes kundër tyre. Ata do të më njohin mua pasi të të kem gjykuar ty. Edhe ti do ta marrësh vesh se unë jam Zoti. I kam dëgjuar të gjitha sharjet që ke shprehur kundër maleve të Izraelit, duke thënë: janë shkretuar krejt, na i kanë dhënë për ushqim. U krekosët kundër meje me gojën tuaj dhe i shumuat fjalët kundër meje. Unë i dëgjova. Kështu thotë Zoti im, Zoti: siç ngazëllen mbarë dheu, ashtu do të të shkretoj ty. Siç ngazëlleve ti për trashëgiminë e shtëpisë së Izraelit, pse u shkretua, ashtu do të veproj me ty. Ti do të shkretohesh, o mali Seir. Edhe mbarë Edomi. I tëri! E do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Ti, bir i njeriut, profetizo për malet e Izraelit e thuaj: «O malet e Izraelit, dëgjojeni zërin e Zotit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë armiku tha për ju: “Aha, lartësitë e lashta janë bërë prona jonë”, për këtë profetizo e thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: pikërisht, ngaqë ju shkretuan e ju shtypën nga të gjitha anët, saqë u bëtë pronë e kombeve të tjera dhe ratë në gojën e në gjuhën e njerëzve përfolës, prandaj, o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit tim, Zotit. Kështu u thotë Zoti im, Zoti, maleve e kodrave, shpateve e luginave, shkretëtirave të përcëlluara dhe qyteteve të braktisura, që janë bërë pre e tallje për kombet e tjera që i rrethojnë, prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: patjetër që fola me smirë të zjarrtë kundër kombeve të tjera e kundër mbarë Edomit, që e morën tokën time si pronë për vete, duke u ngazëlluar me gjithë zemër dhe duke e përçmuar me shpirt, për ta zbrazur e për ta plaçkitur. Prandaj profetizo për tokën e Izraelit dhe thuaju maleve e kodrave, shpateve e luginave, se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë fola i shtyrë nga smira e nga zemërimi, meqë ju duruat talljen e kombeve. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: betohem se kombet që ju rrethojnë do t'i durojnë vetë talljet e tyre. E ju, o malet e Izraelit, nxirrni filiza e jepni fryte për popullin tim Izraelin, se do të kthehen së shpejti. Se, ja, jam me ju, kah ju jam kthyer e ju do të prashiteni e do të mbilleni. Unë do t'i shumoj njerëzit përmbi ju, mbarë shtëpinë e Izraelit, të tërën. Qytetet do të kenë banorë e rrënojat do të ndreqen. Do t'i shumoj njerëzit e kafshët mbi ju dhe ata do të shumohen e do të shtohen. Do t'ju mbush me banorë si dikur e do t'ju mbush me të mira më shumë se në fillim. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Do të sjell mbi ju njerëz, popullin tim Izraelin. Ata do t'ju kenë për pronë, ju do të jeni trashëgimia e tyre e nuk do t'i lini më pa fëmijë. Kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë ju thonë: “Ju gëlltitni njerëz dhe e lini kombin pa fëmijë”, për këtë ju nuk do të gëlltitni më njerëz e nuk do ta lini kombin tuaj pa fëmijë, kumton Zoti im, Zoti. Unë nuk do të lejoj më të dëgjosh talljet e kombeve e ti nuk do të durosh fatkeqësinë e popujve. Nuk do ta lësh më kombin pa fëmijë, kumton Zoti im, Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, por e përdhosi me sjelljen e me veprat e veta. Udhët e tyre para meje ishin si papastërtia e gruas me të përmuajshme. Atëherë zbraza mbi ta zemërimin tim, për shkak të gjakut që kishin derdhur në vend, për shkak të idhujve me të cilët e kishin përdhosur. I përhapa nëpër kombe dhe ishin të shpërndarë nëpër vende. I gjykova sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre. Edhe kur shkuan te kombet për ku ishin nisur, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse thoshin për ta: “Këta janë populli i Zotit, por u është dashur të dalin nga toka e tij”. Atëherë u vura në sedër për emrin tim të shenjtë që shtëpia e Izraelit e kishte përdhosur ndër kombet ku kishte shkuar. Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: nuk po veproj për hirin tuaj, o shtëpia e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju e përdhosët ndër kombet ku kishit shkuar. Do ta shenjtëroj emrin tim të madh që u përdhos ndër kombe dhe që ju e përdhosët mes tyre. Kombet do ta marrin vesh se unë jam Zoti, kumton Zoti im, Zoti, kur ta kem shenjtëruar emrin tim përmes jush para tyre. Do t'ju marr prej kombeve, do t'ju mbledh prej të gjitha vendeve e do t'ju sjell në tokën tuaj. Do t'ju stërpik me ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha papastërtitë. Edhe prej të gjithë idhujve do t'ju pastroj. Do t'ju jap një zemër të re. Një shpirt të ri do të vë brenda jush. Do t'jua heq nga mishi zemrën e gurit dhe do t'ju jap një zemër mishi. Do ta vë shpirtin tim brenda jush e do t'ju bëj të ecni sipas rregullave të mia. Ju do t'i mbani e do t'i zbatoni vendimet e mia. Do të banoni në tokën që u dhashë etërve tuaj. Ju do të jeni populli im, ndërsa unë do të jem Perëndia juaj. Unë do t'ju shpëtoj nga çdo papastërti. Do t'i bëzaj grurit e do ta shumoj dhe nuk do të ta dërgoj më zinë e bukës. Do ta shumoj frytin e pemës dhe prodhimin e arës, që kombet të mos tallen më me ty për shkak të zisë së bukës. Do t'ju kujtohen sjelljet tuaja të liga e veprat tuaja jo të mira e do t'ju pështiroset vetja për shkak të ligësive dhe të neverive tuaja. Do të veproj, por jo për hirin tuaj, kumton Zoti im, Zoti. Le ta dini! T'ju vijë turp e marre për sjelljet tuaja, o shtëpia e Izraelit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: pasi t'ju kem pastruar nga të gjitha fajësitë tuaja, do t'i mbush qytetet me banorë e ata do t'i ndreqin rrënojat tuaja. Toka e shkretuar do të prashitet, në vend që të mbetet shkretim në sytë e të gjithë kalimtarëve. Do të thonë: kjo tokë e shkretuar u bë si kopshti i Edenit. Qytetet e shkretuara, të zhuritura, të rrafshuara, janë mëkëmbur e kanë banorë. Atëherë kombet që kanë mbetur rreth jush do ta marrin vesh se unë jam Zoti. Unë ndreqa rrënojat e mbolla djerrinat. Unë jam Zoti. Fola e do të veproj. Kështu thotë Zoti im, Zoti: do t'ia lejoj edhe këtë shtëpisë së Izraelit: të më lusë që t'ia shumoj njerëzit porsi grigjën. Si me grigjën e shenjtë, si me grigjën e Jerusalemit në festat e caktuara, ashtu do të mbushen qytetet e shkretuara me grigja njerëzish. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Dora e Zotit ishte mbi mua. Me anë të shpirtit të Zotit më shpuri e më vendosi në mes të luginës që ishte plot me eshtra. Ai më solli rreth tyre dhe, ja, kishte aq shumë mbi sipërfaqen e luginës dhe ishin aq të thata. Ai më tha: «Bir i njeriut, a mund të ngjallen këto eshtra?». Unë u përgjigja: «Zoti im, Zot, ti e di». Atëherë më tha: «Profetizoju këtyre eshtrave e thuaju: o eshtra të thata, dëgjojeni zërin e Zotit. Kështu u thotë Zoti im, Zoti, këtyre eshtrave: ja, unë do të shtie shpirtin në ju e ju do të ngjalleni. Do të vë në ju deje, do të vë mbi ju mish, do t'ju mbuloj me lëkurë, do të fus në ju shpirtin e ju do të ngjalleni. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti ». Unë profetizova siç më ishte urdhëruar. Teksa profetizoja, pati kërcëllitje. Dhe, ja, drithërima! Eshtrat u afruan asht me asht. Unë pashë dhe, ja, dejet e mishi u vendosën mbi to dhe u mbuluan me lëkurë përsipër, por shpirt nuk kishin. Pastaj më tha: «Profetizoji shpirtit! Profetizo, bir i njeriut, e thuaji shpirtit se kështu thotë Zoti im, Zoti: eja nga të katër erërat, o shpirt, e fryj mbi këta të vrarë, që të ngjallen». Unë profetizova siç më kishte urdhëruar. Atëherë shpirti erdhi tek ato. U ngjallën e u ngritën më këmbë. Ishte një ushtri tejet, tejet e madhe. Atëherë më tha: «Bir i njeriut, këto eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ja, ata thonë: na janë tharë eshtrat, na u fishk shpresa e jemi këputur. Prandaj profetizo e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja tek po i hap varret tuaja dhe do t'ju ngre nga varret, o populli im. Do t'ju çoj në tokën e Izraelit e do ta merrni vesh se unë jam Zoti, pasi t'ju zhgropos e pasi t'ju ngre nga varret, o populli im. Do të vë shpirtin tim në ju, ju do të ngjalleni e unë do t'ju vendos në tokën tuaj. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Fola e kështu do të veproj, kumton Zoti ». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, merr një copë dru e shkruaj në të: “Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, ortakë me të”. Pastaj merr një tjetër copë druri e shkruaj në të: “Për Jozefin, pemën e Efraimit, dhe për tërë shtëpinë e Izraelit, ortake me të”. Pastaj afroi me njëri-tjetrin, që të bëhen një dru i vetëm, një i vetëm në dorën tënde. Kur të të pyesin bijtë e popullit tënd: a nuk do të na tregosh ç'kuptim kanë këto për ty? Ti thuaju: kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e marr drurin e Jozefit me fiset e Izraelit, ortakët e tij, që është në dorën e Efraimit, dhe do ta vë në drurin e Judës, për t'i bërë një dru të vetëm. Do të bëhen një gjë e vetme në dorën time. Kur të kesh në dorë drurët mbi të cilët do të kesh shkruar, para syve të tyre, thuaju: kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do t'i marr bijtë e Izraelit nga bijtë e kombeve ku kanë shkuar, do t'i mbledh anembanë e do t'i sjell në tokën e tyre. Do t'i bëj një komb të vetëm në vend, nëpër malet e Izraelit. Një mbret i vetëm do të jetë mbret mbi të gjithë ata. Nuk do të jenë më dy kombe e nuk do të jenë më të ndarë në dy mbretëri. Nuk do të përdhosen më me idhujt e me pështirësitë e tyre apo me çfarëdo shkelje të tyren. Unë do t'i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë me të cilat kanë mëkatuar e do t'i pastroj. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. Shërbëtori im, Davidi, do të jetë mbret mbi ta e do të kenë një bari të vetëm. Do të ecin sipas vendimeve të mia dhe do t'i dëgjojnë e do t'i zbatojnë rregullat e mia. Do të banojnë në tokën që i dhashë shërbëtorit tim Jakobit, ku banuan etërit tuaj. Do të bëj me ta besëlidhje paqeje. Do të jetë besëlidhje e amshuar. Do t'i vendos në tokën e tyre, do t'i shumoj e do ta vendos shenjtëroren time mes tyre përgjithmonë. Tek ata do të jetë banesa ime. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. Atëherë kombet do ta marrin vesh se unë jam Zoti, që e shenjtëron Izraelin, kur shenjtërorja ime të jetë mes tyre përgjithmonë». Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, sillu drejt Gogut, në dheun e Magogut, kryeprincit të Meshekut e Tubalit, dhe profetizo kundër tij. Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë jam kundër teje, o Gog, kryeprinc i Meshekut e Tubalit. Do të të shpërvjel e do të t'i mbërthej nofullat me ganxha. Do të të nxjerr përjashta ty, tërë ushtrinë tënde, kuajt e kalorësit, të gjithë të ngjeshur përsosmërisht, hordhi e madhe, me parzmore e mburoja, të gjithë shpatarë. Persia, Kushi e Puti janë me ta. Të gjithë me mburojë e përkrenare. Gomeri me tërë aradhet e veta, shtëpia e Togarmahut nga skajet e veriut me aradhet e veta. Shumë popuj ke me vete. Gatitu e përgatitu ti dhe tërë hordhia jote që është mbledhur me ty. Bëhu rojtari i tyre. Pas shumë ditësh do të marrësh urdhër. Pas disa vitesh do të dalësh kundër një toke që i shpëtoi shpatës, që prej shumë popujsh është mbledhur mbi malet e Izraelit, të cilët u shkretuan pareshtur. Ai është nxjerrë nga popujt e tjerë dhe të gjithë banojnë të qetë. Ti do të përparosh. Si stuhia do të mbërrish. Do të jesh porsi reja që mbështjell tokën, ti, mbarë aradhet dhe popujt e shumtë me ty. Kështu thotë Zoti im, Zoti: në ato ditë do të të vijnë ndër mend mendime e do të thurësh synime të liga. Do të thuash: do të përparoj kundër një toke të pambrojtur. Do të mbërrij te njerëzit e patrazuar, që banojnë të qetë, që banojnë të gjithë pa mure dhe nuk kanë as shula, as dyer, për të bastisur e për të plaçkitur, për të vënë dorë në rrënojat e banuara dhe në popullin e mbledhur nga kombet, që kanë blerë bagëti e prona, që banojnë në mes të tokës. Sheba, Dedani dhe tregtarët e Tarshishit me tërë luanëthit e tyre do të të thonë: a ke ardhur për të bastisur? A e ke mbledhur hordhinë për të plaçkitur, për të rrëmbyer argjend e ar, për të grabitur bagëti e prona, për të bastisur pa masë? Prandaj, bir i njeriut, profetizo dhe thuaji Gogut se kështu thotë Zoti im, Zoti: kur Izraeli, populli im, do të banojë i qetë, ti do të nisesh. Do të vish nga vendi yt, prej skajeve të veriut, ti dhe shumë popuj me ty, të gjithë kaluar mbi kuaj, hordhi e madhe, ushtri e madhe. Do të përparoni kundër popullit tim, Izraelit, si reja që mbështjell tokën. Kur të sosen ditët, do të të sjell kundër tokës sime, që të më njohin kombet, kur ta kem shfaqur përmes teje shenjtërinë para tyre, o Gog. Kështu thotë Zoti im, Zoti: a je ti ai për të cilin kisha folur në ditët e kahershme me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve të Izraelit, të cilët ato ditë dhe për shumë vite profetizuan se unë do të të kisha dërguar kundër tyre? Por në atë ditë, në ditën kur Gogu do të vijë kundër tokës së Izraelit, kumton Zoti im, Zoti, do të vlojë zemërimi e tërbimi im. Me smirë e me zemërim të zjarrtë e kam marrë vendimin: atë ditë do të bjerë tërmet i madh në dheun e Izraelit. Peshqit e detit, zogjtë e qiellit, kafshët e fushës, zvarranikët e dheut dhe të gjithë njerëzit që gjenden mbi faqen e dheut, do të dridhen para meje. Malet do të rrokullisen, shkëmbinjtë do të shkërmoqen dhe të gjitha muret do të shemben përdhe. Unë do të thërras shpatën kundër tij, mbi të gjitha malet e mia, kumton Zoti im, Zoti. Shpata e çdo njeriu do të bjerë kundër vëllait të vet. Do të bëj drejtësi kundër tij me murtajë e me gjak. Do të zbraz shi të rrëmbyeshëm, breshër gurësh, zjarr e sulfur mbi të e mbi aradhet e tij, mbi popujt e shumtë që janë me të. Do të shfaq madhështinë dhe shenjtërinë time e do të bëhem i njohur para shumë kombeve. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti ». Ti, bir i njeriut, profetizo kundër Gogut e thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: «Ja, unë jam kundër teje, Gog, kryeprinci i Meshekut e Tubalit. Do të të sjell rreth e rrotull, do të të drejtoj, do të të prij drejt skajeve të veriut e do të të çoj mbi malet e Izraelit. Do ta thyej harkun nga dora jote e majtë dhe harku do të të bjerë nga dora e djathë. Do të biesh mbi malet e Izraelit me të gjitha aradhet e tua e me popujt që janë me ty. Do të të bëj ushqim për zogjtë grabitqarë të çfarëdo lloji dhe për egërsirat e fushës. Do të biesh në fushë të hapur, se unë kam folur, kumton Zoti im, Zoti. Do t'i vë zjarrin Magogut dhe atyre që banojnë të qetë nëpër ishuj. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti. Do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë mes popullit tim, Izraelit, dhe nuk do të lejoj të përdhoset më emri im i shenjtë. Atëherë kombet do ta marrin vesh se unë jam Zoti, i shenjti në Izrael. Ja, po vjen e do të ndodhë, kumton Zoti im, Zoti. Ajo është dita për të cilën fola. Banorët e qyteteve të Izraelit do të dalin e do të ndezin zjarr me armët, me parzmoret, me shqytet, me harqet, me shigjetat, me hunjtë e me heshtat. Do të ndezin zjarr me to për shtatë vjet. Nuk do të shkojnë për të mbledhur dru nëpër ara e nuk do t'i presin nëpër pyje, se do të ndezin zjarr me armët. Do të bastisin ata që i kishin bastisur e do të plaçkitin ata që i kishin plaçkitur, kumton Zoti im, Zoti. Atë ditë do t'i jap Gogut një vend për varr në Izrael, në luginën e Kalimtarëve, në lindje të detit. Ajo do t'ua presë udhën kalimtarëve. Aty do të varroset Gogu e tërë hordhia e tij. Pastaj do ta quajnë lugina e Hordhisë së Gogut. Shtëpia e Izraelit do t'i varrosë për shtatë muaj, për ta pastruar vendin. Gjithë populli i vendit do t'i varrosë dhe do të jetë e bujshme për ta dita kur unë do të shfaq lavdinë, kumton Zoti im, Zoti. Do të veçohen gjithnjë njerëz për të përshkuar vendin e për të varrosur kalimtarët që kanë mbetur mbi tokë, që ta pastrojnë. Pas shtatë muajsh do të bëjnë vëzhgime. Kur ta përshkojnë tokën, po të shohin eshtra njerëzish, do të ngrenë një shenjë anash, deri kur varrmihësit t'i kenë varrosur në luginën e Hordhisë së Gogut. Edhe qyteti do të quhet Hordhi. Kështu do ta pastrojnë vendin e vet. Ti, pra, bir i njeriut, kështu thotë Zoti im, Zoti: thuaju zogjve të çdo lloji e tërë kafshëve të fushës: mblidhuni, ejani e bashkohuni nga të gjitha anët për flinë që po kushtoj për ju, fli madhështore mbi malet e Izraelit. Do të hani mish e do të pini gjak. Do të hani mish trimash e do të pini gjakun e princave të vendit. Janë të gjithë desh, qengja, cjep e dema të majmë të Bashanit. Do të hani dhjamë gjersa të ngopeni e do të pini gjak gjersa të deheni, prej flive të mia që do të kushtoj për ju. Do të ngopeni në tryezën time me kuaj e kalorës, me trima e me çdo luftëtar, kumton Zoti im, Zoti. Do ta shfaq lavdinë time ndër kombe dhe do ta shohin të gjitha kombet gjykimin tim, që do ta kem zbatuar, dhe dorën që do të kem vënë në ta. Që prej asaj dite shtëpia e Izraelit do ta marrë vesh se unë jam Zoti, Perëndia i tyre. Kombet do ta marrin vesh se shtëpia e Izraelit ishte robëruar për fajin e vet, sepse më tradhtuan mua, prandaj ua fsheha fytyrën time dhe i dorëzova tek armiqtë, që të binin të gjithë prej shpatës. Veprova me ta sipas papastërtisë dhe shkeljeve të tyre dhe e fsheha fytyrën time prej tyre. Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: tani do t'i kthej të robëruarit e Jakobit. Do ta përdëllej tërë shtëpinë e Izraelit dhe do të kem zell për emrin tim të shenjtë. Do të mbartin mbi vete fyerjet dhe tërë pabesitë që kryen kundër meje, kur të banojnë të qetë në tokën e vet, pa i trazuar askush. Pasi t'i kem kthyer nga popujt e pasi t'i kem mbledhur nga vendet e armiqve të tyre, do ta shfaq në ta shenjtërinë time para shumë kombeve. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Perëndia i tyre, sepse i pata shpërngulur nëpër kombe, por edhe i mblodha në tokën e tyre dhe asnjëri nuk më mbeti më atje. Atëherë nuk do ta fsheh më fytyrën time prej tyre, sepse do të zbraz shpirtin tim mbi shtëpinë e Izraelit, kumton Zoti im, Zoti ». Në vitin e njëzet e pestë të shpërnguljes sonë, në fillim të vitit, në ditën e dhjetë të muajit, katërmbëdhjetë vjet pasi kishte rënë qyteti, atë ditë dora e Zoti ishte mbi mua dhe ai më çoi atje. Më çoi në tokën e Izraelit në vegim hyjnor dhe më vuri në një mal shumë të lartë, ku ishte ndërtuar njëfarë qyteti në jug. Më çoi atje dhe, ja, një burrë, me pamje si prej bronzi, me një litar liri e një kallam matës në dorë. Ai qëndronte te porta. Ai burrë më tha: «Bir i njeriut, shiko me sy e dëgjo me veshë dhe vëri mendjen asaj që po të shfaq, se të kanë sjellë këtu për këtë ndodhi. Gjithçka që do të shohësh tregoja shtëpisë së Izraelit». Dhe, ja, përjashta tempullit kishte një mur rrethues. Gjatësia e kallamit në dorën e njeriut ishte gjashtë kute, një kut e një pëllëmbë. Ai mati trashësinë e murit. Ajo ishte një kallam dhe lartësia një kallam. Pastaj shkoi te porta me pamje nga lindja. Ngjiti shkallët dhe mati pragun e portës. Ishte një kallam i gjerë. Secila dhomë ishte një kallam e gjatë e një kallam e gjerë. Hapësira ndërmjet dhomave ishte pesë kute. Edhe pragu i portës ndanë portikut të asaj porte nga ana e brendshme ishte një kallam. Pastaj ai mati portikun e portës nga brenda. Ishte një kallam. Pastaj mati portikun e portës. Ishte tetë kute. Shtyllat ishin dy kute. Portiku i portës ishte i brendshëm. Në secilën anë të portës kishte nga tri dhoma. Të tria kishin të njëjtën masë. Edhe shtyllat në secilën anë kishin të njëjtën masë. Ai mati edhe gjerësinë e portës hyrëse. Ishte dhjetë kute. Gjatësia e portës ishte trembëdhjetë kute. Para dhomave kishte ndarëse. Ndarësja ishte një kut në secilën anë. Dhomat anësore ishin nga gjashtë kute, nga secila anë. Pastaj mati portën nga kubeja e njërës dhomë anësore te kubeja e tjetrës. Gjerësia ishte njëzet e pesë kute. Hyrjet ishin kundruall njëra-tjetrës. Mati edhe portikun, gjashtëdhjetë kute. Përreth portikut të portës gjendej tremja. Nga ana e përparme e portës hyrëse tek ana e përparme e portikut të portës së brendshme ishin pesëdhjetë kute. Dhomat dhe shtyllat kishin dritare të mbrojtura nga brenda përreth portës. Kishte dritare edhe rreth portikut, nga ana e brendshme. Te shtyllat kishte palma. Pastaj më çoi te tremja e jashtme dhe, ja, kishte disa dhoma dhe një shtrojë përreth tremes. Ishin tridhjetë dhoma përgjatë shtrojës. Shtroja shtrihej anës së portave, në përkim me gjatësinë e portave. Kjo ishte shtroja e poshtme. Ai mati hapësirën nga faqja e portës së poshtme te faqja e portës së brendshme. Njëqind kute nga lindja e nga veriu. Pastaj mati gjatësinë dhe gjerësinë e portës kundruall veriut, drejt tremes së jashtme. Dhomat e saj, tri nga njëra anë e tri nga tjetra, shtyllat dhe portiku kishin përmasat e portës së parë: pesëdhjetë kute të gjata e njëzet e pesë të gjera. Dritaret, portikun dhe palmat i kishte me përmasat e portës me pamje nga lindja. Për atje duheshin ngjitur shtatë shkallë. Kundruall ishte portiku. Drejt tremes së brendshme, kundruall portës veriore dhe asaj lindore, gjendej nga një portë. Ai mati largësinë nga njëra portë te tjetra. Ishin njëqind kute. Pastaj më priu drejt jugut dhe, ja, kishte një portë drejt jugut. Ai mati shtyllat dhe portikun. Kishin të njëjtat përmasa. Porta dhe portiku kishin dritare përreth, të ngjashme me dritaret e tjera: pesëdhjetë kute të gjata dhe njëzet e pesë të gjera. Shtatë shkallë të çonin tek ajo dhe kundruall kishin portikun. Te shtyllat kishte palma nga njëra anë, edhe nga ana tjetër. Tremja e brendshme kishte një portë nga lindja. Ai mati largësinë nga njëra derë te tjetra në drejtim të jugut. Ishin njëqind kute. Pastaj më çoi në tremen e brendshme, përmes portës jugore, dhe mati portën jugore. Kishte të njëjtat përmasa si të tjerat. Dhomat, shtyllat dhe portiku kishin të njëjtën përmasë si të tjerat dhe kishin dritare përreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute dhe gjerësia njëzet e pesë kute. Përreth kishte portikë njëzet e pesë kute të gjatë e pesë kute të gjerë. Portiku i tij ishte kundruall tremes së jashtme. Te shtyllat kishte palma, ndërsa shkallët kishin tetë shkallare. Pastaj më çoi te tremja e brendshme, në drejtim të lindjes, dhe mati portën. Kishte të njëjtat përmasa. Dhomat, shtyllat dhe portiku kishin të njëjtat përmasa si të tjerat. Porta dhe portiku i saj kishin dritare përreth, pesëdhjetë kute të gjata e njëzet e pesë kute të gjera. Portiku i tij ishte me pamje drejt tremes së jashtme. Te shtyllat kishte palma nga secila anë. Atje të çonin tetë shkallare. Pastaj më çoi te porta veriore dhe e mati. Kishte të njëjtat përmasa si të tjerat. Dhomat, shtyllat, portikun, me dritaret përreth, kishin të njëjtën përmasë si të tjerat, me gjatësi pesëdhjetë kute e më gjerësi njëzet e pesë kute. Portiku ishte me pamje drejt tremes së jashtme. Te shtyllat kishte palma nga secila anë. Atje të çonin tetë shkallare. Kishte edhe një dhomë me hyrje më vete pranë shtyllave të portave. Aty laheshin flitë e shkrumbimit. Në portikun e portës kishte dy tryeza nga njëra anë e dy nga ana tjetër. Mbi to therej flija e shkrumbimit, flitë për mëkatin dhe flitë për fajin. Dy tryeza të tjera ishin në anën e jashtme, duke u ngjitur drejt hyrjes së portës së veriut. Edhe nga ana tjetër e portikut gjendeshin dy tryeza. Nga secila anë e portës gjendeshin katër tryeza. Të tetë tryezat për të kryer therjet. Kishte edhe katër tryeza prej guri për flitë e shkrumbimit, një kut e gjysmë të gjata, një kut e gjysmë të gjera dhe një kut të larta. Mbi to ishin vënë veglat me të cilat thereshin flitë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. Përreth, përbrenda ishin vendosur çengela një pëllëmbësh. Mbi tryezë gjendej mishi i kushtuar. Jashtë portës së brendshme, në tremen e brendshme, kishte dy dhoma. Njëra, pranë portës veriore, ishte me pamje nga jugu. Tjetra, pranë portës jugore, ishte me pamje nga veriu. Ai më tha: «Dhoma me pamje nga jugu është për priftërinjtë që kujdesen për tempullin dhe dhoma me pamje nga veriu është për priftërinjtë që kujdesen për altarin. Ata janë bijtë e Cadokut, prej bijve të Levit, që i afrohen altarit të Zotit për t'i shërbyer». Ai e mati tremen dhe ishte katrore, njëqind kute e gjatë dhe njëqind kute e gjerë. Altari ishte kundruall tempullit. Pastaj më çoi te portiku i tempullit dhe mati shtyllat e portikut, nga pesë kute në secilën anë. Gjerësia e portave ishte katërmbëdhjetë kute. Muret anësore të portës ishin tre kute nga secila anë. Gjatësia e portikut ishte njëzet kute dhe gjerësia dymbëdhjetë kute. Atje të çonin dhjetë shkallare. Pranë shtyllave kishte mbajtëse nga njëra anë e nga tjetra. Pastaj më futi në anijatë dhe mati shtyllat. Gjerësia e shtyllave ishte gjashtë kute nga secila anë. Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kute, ndërsa pjesët anësore të hyrjes ishin secila nga pesë kute. Pastaj mati nefin. Ishte dyzet kute i gjatë e njëzet kute i gjerë. Hyri brenda dhe mati shtyllat e hyrjes. Ishin dy kute, ndërsa hyrja ishte gjashtë kute. Gjerësia e hyrjes ishte shtatë kute. Mati gjatësinë dhe ishte njëzet kute. Gjerësia ishte njëzet kute, kundruall anijatës. Atëherë më tha: «Kjo është shenjtërorja e shenjtëroreve». Pastaj mati murin e tempullit. Ishte gjashtë kute. Gjerësia e dhomës anësore ishte katër kute rreth e rrotull tempullit. Dhomat anësore ishin njëra mbi tjetrën, tri radhë me nga tridhjetë. Rrëzë murit të tempullit kishte një kalim për dhomat përreth, që të ishin të lidhura me njëra-tjetrën, por jo me murin e tempullit. Duke u ngjitur dhomave anësore ai zgjerohej, sepse tempulli ishte i rrethuar gjer në lartësi. Tempulli kishte një hapësirë sipër, prandaj mund të ngjiteshe nga poshtë lart përmes katit të mesëm. Pashë se rreth tempullit kishte një stom. Themelet e dhomave anësore ishin plot një kallam gjashtë kutesh. Trashësia e murit të jashtëm të dhomave anësore ishte pesë kute. Hapësira ndërmjet dhomave anësore të tempullit dhe dhomave të tjera ishte njëzet kute e gjerë rreth e rrotull tempullit. Hyrjet e dhomës anësore ishin nga ana e lirë. Njëra hyrje ishte drejt veriut dhe tjetra drejt jugut. Hapësira e lirë ishte pesë kute nga të gjitha anët. Ndërtesa kundruall hapësirës së lirë nga ana perëndimore ishte shtatëdhjetë kute e gjerë. Muri i ndërtesës rreth e rrotull ishte pesë kute i trashë e nëntëdhjetë kute i gjatë. Pastaj mati tempullin. Gjatësia ishte njëqind kute. Edhe hapësira e lirë, ndërtesa dhe muret ishin njëqind kute. Gjerësia e pamjes ballore të tempullit me hapësirën e lirë nga lindja ishte njëqind kute. Pastaj mati gjatësinë e ndërtesës kundruall hapësirës së lirë nga ana e pasme, me nënkalimet anekënd. Ishte njëqind kute. Pjesa e brendshme e anijatës, portiku i tremes, pragjet, dritaret e mbrojtura dhe nënkalimet përreth të treve, kundruall pragut, ishin veshur me dru nga të gjitha anët, nga shtroja deri te dritaret, që ishin të mbuluara. Deri përmbi hyrje, deri brenda tempullit, nga përjashta dhe përgjatë tërë murit përreth, brenda dhe jashtë ishin bërë matjet për të punuar kerubë e palma. Ndërmjet kerubëve kishte nga një palmë. Secili kerub kishte dy pamje: një pamje njeriu në drejtim të palmës nga njëra anë dhe një pamje luanthi në drejtim të palmës nga ana tjetër. Ata ishin punuar nga të gjitha anët përreth tempullit. Nga shtroja deri sipër hyrjes ishin punuar kerubë e palma në muret e tempullit. Shtalkat e anijatës ishin katrore. Kundruall shenjtërores dukej diçka me pamjen e një altari prej druri, tre kute i lartë, dy kute i gjatë dhe dy kute i gjerë. Këndet, bazën dhe muret i kishte prej druri. Ai më tha: «Kjo është tryeza që rri para Zotit ». Anijata dhe shenjtërorja kishin nga dy dyer. Të dyja dyert kishin nga dy flegra që rrotulloheshin. Dy për njërën derë e dy për tjetrën. Mbi dyer kishin punuar kerubë e palma, siç i kishin punuar në mure. Kundruall portikut, përjashta, gjendej një prag druri. Nga të dyja anët përgjatë portikut, te dhomat anësore të tempullit dhe te pragu kishte dritare të mbrojtura dhe palma. Pastaj më nxori në tremen e jashtme me pamje nga veriu dhe më çoi te dhomat kundruall hapësirës së lirë dhe kundruall ndërtesës me pamje nga veriu. Gjatësia e ballinës ishte njëqind kute nga hyrja e veriut dhe gjerësia ishte pesëdhjetë kute. Kundruall njëzet kuteve të tremes së brendshme dhe kundruall shtrojës së jashtme gjendej një nënkalim përballë një nënkalimi trekatësh. Para dhomave gjendej një rruginë dhjetë kute e gjerë e njëqind kute e gjatë. Hyrjet e dhomave ishin me pamje nga veriu. Dhomat e epërme ishin më të ngushta, sepse nënkalimet i zvogëlonin më shumë sesa dhomat përdhese e të mesme të ndërtesës. Ishin trekatëshe, por nuk kishin shtylla si shtyllat e tremeve, prandaj që nga toka dhomat e epërme ishin më të ngushta se përdheset e të mesmet. Muri i jashtëm, përgjatë dhomave nga ana e tremes së jashtme, kundruall dhomave, ishte pesëdhjetë kute i gjatë, sepse gjatësia e dhomave të tremes së jashtme ishte pesëdhjetë kute, ndërsa në drejtim të anijatës ishte njëqind kute. Poshtë dhomave gjendej një hyrje nga lindja, duke hyrë nga tremja e jashtme. Në gjerësinë e murit të tremes, në drejtim të jugut, përballë hapësirës së lirë dhe përballë ndërtesës gjendeshin disa dhoma me një rruginë përballë. Pamja e tyre ishte si ajo e dhomave me drejtim nga veriu. Ishin njësoj të gjata e të gjera dhe të gjitha i kishin njësoj daljet, renditjen dhe hyrjet. Ato ishin si dhomat me drejtim nga jugu. Në fillim të rruginës kishte një hyrje, përballë murit përkatës, në lindje të atyre që hynin. Atëherë më tha: «Dhomat në veri e ato në jug, kundruall hapësirës së lirë, janë dhomat e shenjta, ku priftërinjtë i afrohen Zotit dhe ku ata hanë të shenjtat e të shenjtave. Aty do t'i vënë të shenjtat e të shenjtave, flinë e drithit, flinë për mëkatin dhe flinë për fajin, sepse ky vend është i shenjtë. Pasi të kenë hyrë, priftërinjtë nuk do të dalin nga vendi i shenjtë në tremen e jashtme pa i hequr petkat me të cilat shërbejnë, sepse janë të shenjta. Duhet të veshin petka të tjera dhe atëherë mund t'i afrohen vendit ku rri populli». Pasi përfundoi së maturi pjesën e brendshme të tempullit, më nxori jashtë nga dera lindore dhe bëri matjet rreth e rrotull. Mati anën lindore me kallamin matës dhe ishte pesëqind kallama, me kallama matës, rreth e rrotull. Mati anën veriore dhe ishte pesëqind kallama, me kallama matës, rreth e rrotull. Mati anën jugore dhe ishte pesëqind kallama, me kallama matës. U kthye nga ana perëndimore dhe mati pesëqind kallama, me kallama matës. E mati nga të katra anët. Kishte një mur rrethues pesëqind kute të gjatë e pesëqind të gjerë, për të ndarë vendin e shenjtë nga vendi i rëndomtë. Pastaj më çoi te porta, te porta me pamje nga lindja. Dhe, ja, lavdia e Perëndisë së Izraelit vinte nga udha e lindjes. Ushtima e ardhjes së tij ishte si ushtima e ujërave të mëdha dhe toka shkëlqente prej lavdisë së tij. Pashë si në vegim diçka të ngjashme me çfarë kisha parë kur ai kishte ardhur për ta shkatërruar qytetin dhe si vegimi që kisha parë te lumi Kebar. Atëherë rashë përmbys. Lavdia e Zotit hyri në tempull përmes portës me pamje nga lindja. Shpirti më mbarti, më futi në tremen e brendshme dhe, ja, lavdia e Zotit e kishte mbushur tempullin. Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, një njeri që qëndronte pranë meje, i cili më tha: «Bir i njeriut, ky është vendi i fronit tim dhe vendi i shputave të këmbëve të mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përgjithmonë. Nuk do ta përdhosin më emrin tim të shenjtë as shtëpia e Izraelit, as mbretërit e tyre, me kurvëri, me kufomat e mbretërve të tyre dhe me faltoret në vende të larta, duke e vënë pragun e tyre te pragu im dhe shtalkat e tyre pranë shtalkave të mia, me një mur mes meje e tyre. E kanë përdhosur emrin tim të shenjtë me pështirësitë që kanë bërë, prandaj edhe i përpiu zemërimi im. Por tani do t'i flakin larg meje kurvërinë dhe kufomat e mbretërve të tyre dhe unë do të banoj mes tyre përgjithmonë. Ti, bir i njeriut, tregoja shtëpisë së Izraelit këtë tempull, që ata të kenë turp nga fajësitë e veta. Pastaj ata do të bëjnë matjet. Nëse u vjen turp për gjithçka kanë bërë, tregoju trajtën e tempullit, përbërjen e tij, daljet, hyrjet dhe të gjithë trajtën e tij. Tregoju edhe të gjitha rregullat, të gjitha trajtat, të gjitha ligjet e tij dhe shkruaji para syve të tyre, që t'i mbajnë tërë ligjet e tij e tërë rregullat e tij dhe t'i zbatojnë ato. Ky është ligji i tempullit: në majë të malit, mbarë trualli që e rrethon është tejet i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit». Këto janë përmasat e altarit në kute, ku kuti është një kut e një pëllëmbë. Baza duhet të jetë një kut e lartë e një kut e gjerë. Buza në zgrip rreth tij duhet të jetë një pëllëmbë. Kjo duhet të jetë lartësia e altarit. Nga baza përdhe deri te korniza e poshtme dy kute me një kute gjerësi. Nga korniza e vogël te korniza e madhe katër kute me një kut gjerësi. Vatra duhet të jetë katër kute dhe mbi vatër duhen ngritur katër brirë. Vatra duhet të jetë katrore, dymbëdhjetë kute gjatësi me dymbëdhjetë kute gjerësi. Korniza duhet të jetë katërmbëdhjetë kute e gjatë e katërmbëdhjetë kute e gjerë. Buza përreth duhet të jetë një gjysmë kuti dhe baza përreth një kut. Shkallët e altarit duhet të jenë me pamje nga lindja. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, kështu thotë Zoti im, Zoti: këto janë rregullat e altarit, kur të ndërtohet për të kushtuar mbi të fli shkrumbimi dhe për të stërpikur gjak në të. Do t'u japësh një mëzat për flinë e mëkatit priftërinjve levitë, të fisit të Cadokut, që do të afrohen tek unë për të më shërbyer, kumton Zoti im, Zoti. Do të marrësh prej atij gjaku e do të stërpikësh katër brirët e altarit, katër qoshet e kornizës dhe buzët përreth. Kështu do ta pastrosh e do ta shlyesh. Do të marrësh edhe mëzatin e flisë për mëkatet e ai do të digjet në vendin e caktuar të tempullit, përjashta shenjtërores. Ditën e dytë do të kushtosh një cjap të patëmetë si fli mëkati. Atëherë altari do të pastrohet siç ishte pastruar nga mëkati me anë të mëzatit. Pasi të kryesh pastrimin e tij do të kushtosh një mëzat të patëmetë prej tufës dhe një dash të patëmetë prej grigjës. Ti do t'i kushtosh para Zotit, ndërsa priftërinjtë do t'i kripin e do t'ia kushtojnë Zotit si fli shkrumbimi. Për shtatë ditë do të kushtosh nga një cjap si fli mëkati. Do të kushtohet edhe nga një mëzat e nga një dash i patëmetë prej grigjës. Për shtatë ditë duhet ta kryejnë shlyerjen e altarit. Pastaj do ta pastrojnë e do ta shugurojnë. Pasi të kalojnë këto ditë, nga dita e tetë, priftërinjtë do të kushtojnë mbi altar flitë tuaja të shkrumbimit dhe flitë e paqtimit. Atëherë unë do t'ju përkrah, kumton Zoti im, Zoti ». Pastaj më çoi te dera e shenjtërores me pamje nga lindja. Ajo ishte e mbyllur. Atëherë Zoti më tha: «Kjo derë duhet të mbetet e mbyllur. Nuk duhet hapur dhe askush nuk duhet të hyjë përmes saj, sepse Zoti, Perëndia i Izraelit ka hyrë përmes saj, prandaj duhet të mbetet e mbyllur. Vetëm princi, ai mund të ulet në të për të ngrënë bukën para Zotit. Ai do të hyjë nga portiku i portës e do të dalë në atë drejtim». Pastaj më çoi te porta veriore kundruall tempullit. Unë pashë dhe, ja, lavdia e Zotit e kishte mbushur tempullin e Zotit. Atëherë rashë përmbys. Pastaj Zoti më tha: «Bir i njeriut, vëri mendjen, shiko me sytë e tu dhe dëgjo me veshët e tu gjithçka do të të tregoj për të gjitha rregullat e tempullit të Zotit dhe për të gjitha ligjet e tij. Vëri mendjen hyrjes së tempullit dhe të gjitha daljeve të shenjtërores. Pastaj do t'i thuash shtëpisë kryeneçe të Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: të shumta qenë pështirësitë e tua, o shtëpia e Izraelit, se keni futur të huajt, të parrethprerë në zemër e në mish, që të rrinin në shenjtëroren time, që ta përdhosnin tempullin tim, ku më kushtonit për ushqim dhjamin e gjakun. Të gjitha pështirësitë tuaja e thyen besëlidhjen time. Nuk u kujdesët t'i ruanit gjërat e mia të shenjta, por caktuat të tjerët ta merrnin nën kujdes për ju rojtarinë e shenjtërores sime. Kështu thotë Zoti im, Zoti: asnjë i huaj i parrethprerë në zemër dhe i parrethprerë në mish nuk do të hyjë në shenjtëroren time. Asnjë nga të gjithë të huajt që gjenden në mes të bijve të Izraelit. Edhe levitët, që u larguan prej meje kur izraelitët e lanë rrugën time dhe ndoqën idhujt e tyre, do të heqin për fajin e vet. Do të jenë shërbestarë në shenjtëroren time. Do të mbikëqyrin portat e tempullit dhe do të jenë shërbestarë të tempullit. Ata do t'i therin flitë e shkrumbimit dhe flitë për popullin. Ata do të qëndrojnë para popullit, për t'u shërbyer. Meqë u kanë shërbyer atyre, në prani të idhujve të vet, dhe janë bërë shkas faji për shtëpinë e Izraelit, jam betuar për ta, kumton Zoti im, Zoti, se do të heqin për fajin e vet. Nuk do të afrohen tek unë, për të më shërbyer si priftërinj, për të qenë afër me gjërat e shenjta dhe të tejetshenjtat, por do të ngarkohen me turpin e vet dhe pështirësitë që kanë bërë. Do t'ua lë atyre nën kujdes rojtarinë e tempullit, për t'i shërbyer atij në gjithçka e për gjithçka duhet bërë në të. Por, priftërinjtë levitë, bij të Cadokut, që u kujdesën për rojtarinë e shenjtërores sime kur bijtë e Izraelit e lanë rrugën time, do të afrohen tek unë për të më shërbyer dhe do të qëndrojnë para meje për të më kushtuar dhjamin dhe gjakun, kumton Zoti im, Zoti. Ata do të hyjnë në shenjtëroren time dhe do t'i afrohen tryezës sime për të më shërbyer. Ata do ta mbajnë shërbestarinë time. Kur të hyjnë nëpër dyert e tremes së brendshme, do të vishen me petka liri. Nuk do të hedhin përsipër petka prej leshi kur të shërbejnë te portat e tremes së brendshme dhe në tempull. Do të mbajnë në kokë kësula të linjta dhe do t'i ngjeshin ijët me të brendshme të linjta. Nuk do të ngjishen me petka që shkaktojnë djersitje. Kur të dalin në tremen e jashtme te njerëzit, do t'i heqin petkat me të cilat kanë shërbyer, do t'i lënë në dhomat e shenjtërores dhe do të vishen me petkat e tjera, për të mos e shenjtëruar popullin me petkat e tyre. Nuk do ta rruajnë kokën e nuk do t'i rrisin flokët, por do t'i qethin kokat. Asnjë prift nuk do të pijë verë kur të hyjë në tremen e brendshme. Nuk do të marrin për grua ndonjë të ve, as ndonjë të ndarë, por vetëm ndonjë vashë nga farefisi i Izraelit. Megjithatë, të venë e ndonjë prifti mund ta marrin. Do t'i mësojnë popullit tim gjërat e shenjta dhe të rëndomtat. Do t'i tregojnë çfarë është e pastër dhe çfarë është e papastër. Në ndonjë rragatje ata do të sillen si gjyqtarë, duke gjykuar sipas vendimeve të mia. Do të mbajnë ligjet dhe rregullat e mia në të gjitha festat e mia. Edhe të shtunat e mia do t'i shenjtërojnë. Nuk do të shkojnë te njerëzit e vdekur, që të mos bëhen të papastër, por për atin, për nënën, për birin, për bijën, për vëllanë dhe për motrën pa burrë mund të bëhen të papastër. Pasi të jetë pastruar, do t'i numërojnë shtatë ditë dhe, kur të hyjë në vendin e shenjtë, në tremen e brendshme, për të shërbyer në shenjtërore, do të kushtojë për vete flinë për mëkatin, kumton Zoti im, Zoti. Ata nuk do të kenë trashëgimi. Unë jam trashëgimia e tyre. Nuk do t'u jepet pronë në Izrael. Unë jam prona e tyre. Do të kenë për ushqim flinë e drithit, flinë për mëkatin, flinë për fajin dhe gjithçka që kushtohet në Izrael do të jetë e tyrja. Pjesa më e mirë e të gjitha të lashtave të çdo lloji, çdo kushtim i çdo lloj kushtimi tuaj do t'u përkasë priftërinjve. Do t'u jepni priftërinjve edhe miellin më të mirë, që bekimi të prehet në shtëpinë tuaj. Priftërinjtë nuk do të hanë asnjë kërmë apo coftinë zogjsh apo kafshësh». «Kur ta ndani tokën si trashëgimi, duhet t'i kushtoni Zotit një pjesë të shenjtë prej tokës, njëzet e pesë mijë kute të gjatë e njëzet mijë të gjerë. Ajo do të jetë e shenjtë gjithandej, skaj më skaj. Prej saj do t'i lihet shenjtërores një katror pesëqind kute me pesëqind, me një hapësirë të lirë përreth prej pesëdhjetë kutesh. Nga kjo përmasë do të matësh një njësi me gjatësi njëzet e pesë mijë kute dhe me gjerësi dhjetë mijë kute, ku do të jetë shenjtërorja, shenjtërorja e shenjtëroreve. Kjo pjesë e shenjtë nga toka do t'u takojë priftërinjve që shërbejnë në shenjtërore, të cilët do të afrohen për t'i shërbyer Zotit. Ky vend do t'u nevojitet për shtëpitë e tyre dhe si vend i shenjtë për shenjtëroren. Njëzet e pesë mijë kute gjatësi me dhjetë mijë kute gjerësi do t'u jepet levitëve, të cilët shërbejnë në tempull, si pronë për qytete banimi. Si pronë të qytetit do të jepni pesë mijë kute gjerësi me njëzet e pesë mijë kute gjatësi pranë shenjtërores. Ajo do t'i përkasë mbarë shtëpisë së Izraelit. Princit do t'i jepet në pronësi një pjesë nga të dyja anët e vendit të shenjtë, pronësia e qytetit përgjatë vendit të shenjtë dhe pronësia e qytetit në perëndim e në lindje, me gjatësi sa njëra pjesë nga kufiri perëndimor te kufiri lindor. Kjo do të jetë toka e tij, prona e tij në Izrael, e kështu princat e mi nuk do ta shtypin popullin tim, por do t'ia lënë tokën shtëpisë së Izraelit, sipas fiseve. Kështu thotë Zoti im, Zoti: mjaft, o princa të Izraelit! Flakeni dhunën e mujshinë dhe zbatoni të drejtën e drejtësinë. Hiqeni tagrin tuaj nga populli im, kumton Zoti im, Zoti. Mbani peshore të drejta, efah të drejtë e bat të drejtë. Efahu dhe bati duhet të kenë të njëjtën masë. Bati duhet të mbajë një të dhjetën e homerit dhe efahu një të dhjetën e homerit. Sipas homerit duhet ta kenë masën. Sikla duhet të jetë njëzet monedha. Një minë duhet ta keni njëzet monedha, shto njëzet e pesë monedha, shto pesëmbëdhjetë sikla. Kjo do të jetë pjesa që do të merrni: një të gjashtën e efahut për çdo homer drithi dhe një të gjashtën e efahut për çdo homer elbi. Rregulli për vajin, që matet me bat, është një e dhjeta e batit për çdo kor. Dhjetë batë bëjnë një homer, sikurse dhjetë batë janë një homer. Një dele për çdo tufë me dyqind krerë, nga kullotat e njoma të Izraelit, për fli drithi, për fli shkrumbimi dhe për fli paqtimi, do të kryejë shlyerjen për ta, kumton Zoti im, Zoti. Mbarë populli i vendit duhet t'ia japë këtë pjesë princit të Izraelit. I takon princit të dhurojë flitë e shkrumbimit, kushtimet dhe flitë e stërpikjes për festat, për muajt, për të shtunat dhe të gjitha festat e shtëpisë së Izraelit. Ai do ta dhurojë flinë për mëkatin, flinë e drithit, flinë e shkrumbimit dhe flinë e paqtimit për të kryer shlyerjen për shtëpinë e Izraelit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: ditën e parë të muajit të parë do të marrësh një mëzat të patëmetë dhe do të pastrosh shenjtëroren. Prifti do të marrë ca gjak prej flisë për mëkatin e do ta vendosë në shtalkat e tempullit, në katër qoshet e kornizës së altarit dhe në shtalkat e portave të tremes së brendshme. Kështu do të veprojë më shtatë të muajit, për këdo që ka mëkatuar gabimisht apo nga padija. Kështu do ta shlyeni tempullin. Muajin e parë, në ditën e katërmbëdhjetë të muajit, do të jetë Pashkë për ju, festë shtatëditore. Do të hani bukë të ndorme. Atë ditë princi do të kushtojë një mëzat si fli mëkati, për vete dhe për mbarë popullin e vendit. Në të shtata ditët e festës do të sjellë flinë e shkrumbimit për Zotin, shtatë mëzatë e shtatë desh të patëmetë secilën ditë dhe nga një cjap si fli mëkati çdo ditë. Do të dhurojë nga një efah drithë për mëzat e nga një efah për dash, me nga një hin vaj për çdo efah. Në muajin e shtatë, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, për të shtata ditët e festës do të sjellë të njëjtat kushtime si këto, si për flitë për mëkatin, si për flitë e shkrumbimit, si për flitë e drithit, ashtu edhe për vajin». Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Porta e tremes së brendshme me pamje nga lindja do të rrijë mbyllur gjashtë ditë pune, por do të hapet ditën e shtunë dhe do të hapet ditën e parë të muajit. Princi do të hyjë përmes portikut të portës nga përjashta dhe do të ndalet te shtalka e portës. Priftërinjtë do të kushtojnë flitë e tij të shkrumbimit dhe flitë e tij të paqtimit, ndërsa ai do të përkulet te pragu i portës. Pastaj ai do të dalë, por porta nuk do të mbyllet deri në mbrëmje. Populli i vendit do të përkulet para Zotit te hyrja e portës, të shtunave dhe në fillim të muajit. Flija e shkrumbimit që do t'i kushtojë princi Zotit të shtunën do të jetë: gjashtë qengja të patëmetë dhe një dash i patëmetë. Kushtimi i drithit për dashin do të jetë një efah, ndërsa kushtimi i drithit për qengjat do të jetë sipas bujarisë, me nga një hin vaj për efah. Ditën e parë të muajit do të kushtojë një mëzat të patëmetë nga tufa, gjashtë qengja dhe një dash të patëmetë. Do të kushtojë nga një efah për mëzat e nga një efah për dash si fli drithi, ndërsa për qengjat sipas bujarisë, me nga një hin vaj për efah. Kur të hyjë princi, duhet të hyjë nga portiku i portës dhe që andej duhet të dalë. Kur të vijë populli i vendit para Zotit nëpër festa, ai që hyn për adhurim nga porta veriore do të dalë nga porta jugore dhe ai që hyn nga porta jugore do të dalë nga porta veriore. Askush nuk do të kthehet nga porta nëpër të cilën ka hyrë, por secili do të dalë nga e kundërta. Princi do të rrijë mes tyre. Do të hyjë siç hyjnë ata e do të dalë siç dalin ata. Për festa e për kremtime, kushtimi do të jetë një efah për mëzat e një efah për dash. Për qengjat, sipas bujarisë, me nga një hin vaj për efah. Kur princi të kushtojë një fli vullnetare shkrumbimi ose fli paqtimi, si kushtime vullnetare për Zotin, duhet t'i hapet porta me pamje nga lindja. Atëherë ai do ta kushtojë flinë e tij të shkrumbimit dhe flitë e tij të paqtimit siç i kushton ditën e shtunë. Pastaj do të dalë dhe, pasi të dalë ai, do të mbyllet porta. Do të kushtosh një qengj motak të patëmetë si fli shkrumbimi për Zotin. Mëngjes për mëngjes do ta kushtosh. Do të kushtosh mbi të, mëngjes për mëngjes, si fli drithi, një të gjashtën e efahut me një të tretën e hinit të vajit për të ngjeshur miellin. Kjo do të jetë fli drithi për Zotin. Ky është rregull i përhershëm. Do të kushtojnë qengjin, flinë e drithit dhe vajin, mëngjes për mëngjes. Kjo është flija e përhershme e shkrumbimit. Kështu thotë Zoti im, Zoti: nëse princi do t'i japë ndonjërit prej bijve të vet ndonjë dhuratë për trashëgimi, ajo duhet t'u përkasë të bijve. Do të jetë pronë e tyrja e trashëguar. Nëse do t'i dhurojë diçka nga trashëgimia e tij ndonjërit prej skllevërve, dhurata do t'i përkasë skllavit deri në vitin e lirimit, pastaj do t'i kthehet princit. Do t'u përkasë bijve të tij si trashëgimi. Princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke ia marrë pronën. Bijtë e tij do të trashëgojnë prej pronave të tija, që askush nga populli im të mos dëbohet nga prona e vet». Pastaj, përmes hyrjes anash portës, më çoi te dhomat e shenjta të priftërinjve me pamje nga veriu. Dhe ja, aty, në skajin perëndimor kishte një vend. Ai më tha: «Ky është vendi ku priftërinjtë do të ziejnë mishin e flisë për fajin dhe atë të flisë për mëkatin e ku do të pjekin flinë e drithit, që të mos i nxjerrin në tremen e jashtme për të shenjtëruar popullin». Pastaj më nxori në tremen e jashtme dhe më shëtiti në të katër qoshet e tremes. Te secila qoshe e tremes kishte nga një treme. Në të katër qoshet e tremes gjendeshin katër treme të vogla, dyzet kute të gjata e tridhjetë kute të gjera, të gjitha me të njëjtat përmasa. Të katra ishin rrethuar me nga një radhë gurësh dhe, rrëzë murit, nga të gjitha anët, gjendeshin furrat. Ai më tha: «Këto janë kthinat e gatimit, ku shërbestarët e tempullit do të gatuajnë flinë e popullit». Pastaj më çoi te hyrja e tempullit. Dhe ja, prej nënpragut të tempullit dilte ujë drejt lindjes, sepse pamja e tempullit ishte drejt jugut. Uji zbriste nën anën e djathtë të tempullit, nga jugu i altarit. Pastaj më nxori udhës së portës veriore dhe më solli rrotull përjashta, deri te porta e jashtme me pamje drejt lindjes. Ja, uji rridhte në krahun e djathtë. Burri doli drejt lindjes me një litar në dorë dhe mati një mijë kute. Pastaj më bëri të kaloj nëpër ujë. Uji më mbërrinte deri te nyjat. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte te gjunjtë. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte në mes. Mati edhe një mijë. U bë një lumë që nuk mund ta kapërceja, se ujërat ishin fryrë. Ishin ujëra të lundrueshme, lumë që nuk mund të kalohej. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a sheh?». Pastaj më ktheu në breg të lumit. Duke u kthyer, pashë një bimësi të madhe në breg të lumit nga njëra anë e nga ana tjetër. Ai më tha: «Këto ujëra rrjedhin drejt trojeve lindore, zbresin në Arabah dhe derdhen në det. Kur derdhen në det, ujërat pastrohen. Kudo që shkon lumi, çdo qenie e gjallë që gëlon do të jetojë. Do të ketë peshk me tepri, sepse ku mbërrijnë ujërat, sjellin shërim dhe, ku mbërrin lumi, do të ketë jetë. Në brigjet e tij do të ketë peshkatarë. Hapësira për të shtrirë rrjetat do të jetë nga En Gedi në Eneglaim. Do të ketë peshk të shumëllojshëm, si peshku i detit të madh. Kënetat dhe gjolet e tij nuk do të shërohen, por do të mbeten për kripë. Përgjatë rrjedhës, në të dyja brigjet, do të rriten të gjitha llojet e pemëve frutore. Gjethet e tyre nuk do të vyshken dhe fryti i tyre nuk do të mbarojë, por do të lidhin fryt çdo muaj, sepse uji i tyre rrjedh nga shenjtërorja. Fryti i tyre do të jetë ushqim dhe gjethet e tyre do të sjellin shërim». Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Këta do të jenë kufijtë e tokës që do të ndani si trashëgimi ndërmjet dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefi do të marrë dy pjesë. Duhet ta ndani në mënyrë të barabartë trashëgiminë që u betova t'ua jepja etërve tuaj. Kjo tokë do t'ju bjerë trashëgim. Këta do të jenë kufijtë e tokës: në anën veriore, nga deti i madh udhës së Hetlonit deri në Lebo Hamat e deri në Cedad, Berotah, Sibraim, që është ndërmjet kufijve të Damaskut e të Hamatit, e deri në Hacerhatikon, në kufi me Havranin. Kufiri do të shkojë nga deti në Hacar Enan, në kufirin verior të Damaskut, me kufirin e Hamatit në veri. Kjo do të jetë ana veriore. Në anën lindore, kufiri do të kalojë ndërmjet Havranit e Damaskut, përgjatë Jordanit prej Gileadit dhe tokës së Izraelit, deri në detin lindor. Kjo do të jetë ana lindore. Në anën jugore, në drejtim të jugut kufiri është nga Tamara deri tek ujërat e Meribë Kadeshit, deri te vau i detit të madh. Kjo do të jetë ana jugore në drejtim të jugut. Në anën perëndimore do të shërbejë si kufi deti i madh deri kundruall Lebo Hamatit. Kjo do të jetë ana perëndimore. Do ta ndani këtë tokë mes jush sipas fiseve të Izraelit. Do t'ju bjerë si pronë për vete dhe për të huajt që banojnë mes jush dhe kanë lindur fëmijë mes jush. Ata do të jenë për ju si bijtë vendas të Izraelit dhe do të marrin trashëgiminë me ju mes fiseve të Izraelit. Në atë fis ku do të banojë ardhacaku, atje do t'ia jepni trashëgiminë, kumton Zoti im, Zoti ». Këta janë emrat e fiseve: nga skaji verior, përbri udhës së Hetlonit, deri në Lebo Hamat, deri në Hacar Enan, që është në kufirin verior të Damaskut, përbri Hamatit, nga ana lindore deri në perëndim, Dani ka një pjesë. Në kufi me Danin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Asheri ka një pjesë. Në kufi me Asherin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Neftaliu ka një pjesë. Në kufi me Neftaliun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Manaseu ka një pjesë. Në kufi me Manaseun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Efraimi ka një pjesë. Në kufi me Efraimin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Rubeni ka një pjesë. Në kufi me Rubenin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Juda ka një pjesë. Në kufi me Judën, nga ana lindore deri në anën perëndimore, do të jetë pjesa që do ta ndani më vete, njëzet e pesë mijë kute e gjerë dhe e gjatë sa njëra pjesë nga ana lindore deri në anën perëndimore. Në mes do të jetë shenjtërorja. Pjesa që do të veçoni për Zotin do të jetë njëzet e pesë mijë kute e gjatë dhe njëzet mijë e gjerë. Kjo do të jetë pjesa e shenjtë e veçuar për priftërinjtë: njëzet e pesë mijë kute në veri, dhjetë mijë kute e gjerë në perëndim e në lindje dhe njëzet e pesë mijë kute e gjatë në jug. Në mes do të jetë shenjtërorja e Zotit. Do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, bijve të Cadokut, që e mbajtën porosinë time dhe nuk e lanë udhën, udhën e bijve të Izraelit, siç e lanë levitët. Do t'u takojë si pjesë nga pjesa e vendit më të shenjtë, ngjitur me truallin e levitëve. Levitët, përgjatë kufijve me priftërinjtë, do të kenë njëzet e pesë mijë kute gjatësi me dhjetë mijë gjerësi. Tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesë mijë kute dhe tërë gjerësia dhjetë mijë. Nuk do ta shesin, nuk do ta këmbejnë dhe nuk do ta tjetërsojnë pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin. Teprica, pesë mijë kute gjerësi me njëzet e pesë mijë kute gjatësi, do të mbetet për nevojat e rëndomta të qytetit, për banesa dhe për hapësira. Në mes do të jetë qyteti. Këto do të jenë përmasat: ana veriore, katër mijë e pesëqind kute, ana jugore, katër mijë e pesëqind, ana lindore, katër mijë e pesëqind dhe ana perëndimore, katër mijë e pesëqind. Qyteti duhet të ketë hapësirë të lirë: në veri, dyqind e pesëdhjetë kute; në jug, dyqind e pesëdhjetë; në lindje, dyqind e pesëdhjetë dhe në perëndim, dyqind e pesëdhjetë. Teprica, për së gjati, përgjatë pjesës së shenjtëruar, do të jetë dhjetë mijë kute në lindje e dhjetë mijë në perëndim, përgjatë pjesës së shenjtëruar. Prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punëtorët e qytetit. Do ta punojnë punëtorët e qytetit prej të gjitha fiseve të Izraelit. Tërë pjesa do të jetë njëzet e pesë mijë kute me njëzet e pesë mijë. Do ta kushtoni si pjesë të shenjtë në pronësi të qytetit. Teprica nga të dyja anët e pjesës së shenjtë dhe të pronës së qytetit do t'i takojë princit. Do të jetë njëzet e pesë mijë kute nga ana e shenjtë, në kufirin lindor dhe, në perëndim, njëzet e pesë mijë kute e gjatë në kufirin perëndimor, përgjatë pjesëve të tjera. Prona e levitëve dhe prona e qytetit do të jetë në mes të pronës së princit, ndërmjet kufirit të Judës dhe kufirit të Benjaminit. Fiset e tjera: nga ana lindore në anën perëndimore, Benjamini ka një pjesë. Në kufi me Benjaminin, nga ana lindore në anën perëndimore, Simeoni ka një pjesë. Në kufi me Simeonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Isahari ka një pjesë. Në kufi me Isaharin, nga ana lindore në anën perëndimore, Zabuloni ka një pjesë. Në kufi me Zabulonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Gadi ka një pjesë. Në kufi me Gadin, nga ana jugore, drejt jugut, kufiri shkon nga Tamari tek ujërat e Meribë Kadeshit dhe te vau i detit të madh. Kjo është toka që do t'u ndani me short si trashëgimi fiseve të Izraelit dhe këto janë pjesët e saj, kumton Zoti im, Zoti. Këto do të jenë daljet e qytetit: në anën veriore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Rubenit, porta e Judës dhe porta e Levit, pra portat e qytetit të emërtuara sipas fiseve të Izraelit. Në anën lindore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Jozefit, porta e Benjaminit dhe porta e Danit. Në anën jugore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Simeonit, porta e Isaharit dhe porta e Zabulonit. Në anën perëndimore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Gadit, porta e Asherit dhe porta e Neftaliut. Rrethorja do të jetë tetëmbëdhjetë mijë kute. Emri i qytetit nga ajo ditë do të jetë: Zoti është aty. Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit, mbretit të Judës, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi e rrethoi Jerusalemin. Atëherë Zoti i dorëzoi atij Jehojakimin, mbretin e Judës, bashkë me një pjesë të sendeve të tempullit të Perëndisë. Nabukodonosori i solli robërit në tokën e Shinarit, në vendin ku ishte tempulli i perëndisë së tij, ndërsa sendet i vuri në thesarin e perëndisë së tij. Ai urdhëroi Ashpenazin, kreun e zyrtarëve të tij, që t'i sillnin disa djem me prejardhje mbretërore apo me prejardhje fisnike, të rinj pa asnjë të metë, të pashëm, të mençur e plot urti, të zgjuar, të ditur e të aftë për të shërbyer në pallatin mbretëror, dhe t'u mësonin shkrimin e gjuhën e kaldenjve. Mbreti kishte urdhëruar që çdo ditë t'u jepnin nga gjellët e shijshme të mbretit dhe nga vera që pinte ai vetë e t'i edukonin për tri vjet, pas të cilëve ata do të hynin në shërbim të mbretit. Mes tyre ishin edhe Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azarjahu, prej fisit të Judës. Kreu i zyrtarëve u vuri atyre emra të tjerë. Danielin e quajti Belteshacar, Hananiahun Shadrak, Mishaelin Meshak e Azarjahun Abed Nego. Danieli vendosi me gjithë zemër të mos përlyhej me gjellët, me verën e me pijet e mbretit. Kështu, ai i kërkoi kreut të zyrtarëve që të mos përlyhej. Perëndia bëri që Danieli të gjente hir e dhembshuri para kreut të zyrtarëve. Por ai i tha Danielit: «Kam frikë nga zotëria im, mbreti. Ai e caktoi vetë çfarë do të hani e çfarë do të pini. Po të shohë se jeni më të hequr në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, do të më vini kokën në rrezik para mbretit». Atëherë Danieli i tha rojtarit, që kreu i zyrtarëve kishte caktuar për vetë Danielin, për Hananiahun, Mishaelin e Azarjahun: «Vëri në provë, të lutem, shërbëtorët e tu për dhjetë ditë. Le të na japin perime për të ngrënë e ujë për të pirë. Pastaj krahaso pamjen tonë me pamjen e djelmoshave që hanë nga gjellët e mbretit. Atëherë vepro me shërbëtorët e tu sipas asaj që do të shohësh». Rojtari e pranoi kërkesën e tyre dhe i vuri në provë për dhjetë ditë. Si kaluan të dhjetë ditët, pamja e tyre dukej më e bukur e më e shëndetshme sesa pamja e të gjithë djelmoshave që kishin ngrënë nga gjellët e mbretit. Kështu, rojtari ua hoqi gjellët, verën e pijet dhe u dha perime. Perëndia u dha këtyre katër djelmoshave dije e mençuri për të kuptuar çdo shkrim e urti. Danielit i dha edhe aftësinë për të kuptuar vegime e ëndrra. Kur mbaruan ditët e caktuara prej mbretit për t'i paraqitur para tij, kreu i zyrtarëve i solli para Nabukodonosorit. Mbreti bisedoi me ta, por, mes gjithë djelmoshave, nuk gjeti asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli e Azarjahu. Kështu, ata u vunë në shërbim të mbretit. Sa herë që kërkonte mendim për ndonjë çështje urtie a diturie, mbreti pa se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët dhe shortarët e mbarë mbretërisë së tij. Danieli qëndroi në shërbim të mbretit deri në vitin e parë të mbretërimit të Kirit. Në vitin e dytë të mbretërimit të tij, Nabukodonosori pa ëndrra që i trazuan shpirtin dhe e lanë pa gjumë. Atëherë mbreti urdhëroi të thërrisnin shortarët, magjistarët, yshtësit e dijetarët kaldenj të yjeve, që t'i shpjegonin ëndrrat. Ata erdhën e u paraqitën para mbretit. Mbreti u tha: «Pashë një ëndërr që ma trazoi shpirtin. Dua të di kuptimin e saj». Kaldenjtë iu përgjigjën mbretit në aramaisht: «Rrofsh përjetë, o mbret! Tregoja ëndrrën shërbëtorëve të tu e ne do të ta shpjegojmë». Mbreti u përgjigj e u tha kaldenjve: «E kam vendosur! Nëse nuk ma tregoni ju ëndrrën dhe kuptimin e saj, atëherë do të priteni copa-copa dhe shtëpitë tuaja do të kthehen në pirgje plehrash. Por, nëse ma tregoni ëndrrën dhe kuptimin e saj, do të merrni nga unë dhurata, shpërblime e ndere të mëdha. Tregomani, pra, ëndrrën dhe kuptimin e saj!». Ata i thanë për herë të dytë: «Le t'ia tregojë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të tij e ne do t'i tregojmë kuptimin e saj». Mbreti u përgjigj e tha: «E kuptoj fare mirë që doni të fitoni kohë, sepse e shihni se e kam marrë vendimin. Nëse nuk ma tregoni ëndrrën, ka vetëm një vendim për ju. Jeni marrë vesh të më gënjeni e të më mashtroni, derisa të kalojë koha. Kështu, pra, ma tregoni ju ëndrrën e unë do ta di se mund të ma shpjegoni». Kaldenjtë i thanë mbretit: «Nuk ka njeri mbi tokë që të mund t'ia plotësojë kërkesën mbretit. Asnjë mbret i madh e i fuqishëm nuk ka kërkuar ndonjëherë një gjë të tillë prej shortarëve, magjistarëve e dijetarëve të yjeve. Ajo që kërkon mbreti është tepër e vështirë. Nuk ka njeri që t'ia tregojë mbretit, përveç hyjnive, e ato nuk banojnë mes qenieve të gjalla». Atëherë mbreti u zemërua shumë dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë dijetarët e Babilonisë. Vendimi u shpall e dijetarët do të vriteshin. Kërkonin të vrisnin edhe Danielin me shokë. Atëherë Danieli iu drejtua me fjalë të urta e të matura Arjokut, kreut të rojës mbretërore, që ishte caktuar për të vrarë dijetarët e Babilonisë, dhe e pyeti përse mbreti kishte marrë një vendim kaq të ashpër kundër dijetarëve të Babilonisë. Arjoku, kreu i rojës mbretërore, ia shpjegoi çështjen Danielit. Danieli shkoi menjëherë te mbreti e i kërkoi t'i jepte pak kohë për t'i treguar mbretit shpjegimin e ëndrrës. Mandej Danieli u kthye në shtëpi e ua tregoi ngjarjen shokëve të tij, Hananiahut, Mishaelit e Azarjahut, që t'i kërkonin mëshirë Perëndisë së qiellit lidhur me këtë të fshehtë e që Danieli, shokët e tij e dijetarët e tjerë të Babilonisë të mos vriteshin. E fshehta iu zbulua Danielit në një vegim natën. Atëherë Danieli bekoi Perëndinë e qiellit, mori fjalën e tha: «Bekuar qoftë përjetë e në amshim emri i Perëndisë, se atij i përkasin urtia e fuqia! Ai i ndryshon kohët e stinët, mbretërit i rrëzon e i ngre, urti u jep të urtëve, dije atyre që dinë të dallojnë. Ai i zbulon të thellat e të fshehtat, ç'ndodh në errësirë ai e di, me të banon drita. Ty, o Perëndi i etërve të mi, ty të falënderoj e të lavdëroj, se urti e fuqi më ke dhënë, ç'të kërkuam na e zbulove, çështjen e mbretit të njohur na e bëre». Atëherë Danieli shkoi tek Arjoku, të cilin mbreti e kishte caktuar për të vrarë të urtët e Babilonisë, e i tha kështu: «Mos i vrit dijetarët e Babilonisë! Më ço para mbretit, që t'i tregoj shpjegimin e ëndrrës». Atëherë Arjoku e solli me nxitim Danielin para mbretit e i tha: «Kam gjetur mes të shpërngulurve të Judës një djalosh, i cili do t'i tregojë mbretit shpjegimin e ëndrrës». Mbreti i tha Danielit, i cili quhej Belteshacar: «A je vërtet i aftë të ma tregosh ëndrrën që pashë dhe kuptimin e saj?». Danieli iu përgjigj mbretit e tha: «Të fshehtën, që kërkon mbreti, nuk mund t'ia zbulojnë as të urtët, as magjistarët, as shortarët e as dijetarët e yjeve. Por ka një Perëndi në qiell që zbulon të fshehtat dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor se ç'do të ndodhë në fund të kohërave. Ja, pra, ëndrra jote dhe vegimet që ke parë në mendjen tënde teksa flije në këtë shtrat. O mbret, mendimet që të erdhën kur flije në shtrat kanë të bëjnë me të ardhmen. Ai që zbulon të fshehtat po të shfaq çfarë do të ndodhë. E mua m'u zbulua kjo e fshehtë, jo se kam më shumë urti sesa gjithë të tjerët, por që mbreti të marrë vesh shpjegimin e të njohë mendimet e zemrës së vet. Ti po vështroje, o mbret, dhe ja, një shtatore e madhe, një shtatore shumë e madhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm e me një pamje të tmerrshme u shfaq para teje. Koka e saj ishte prej ari të kulluar, gjoksi e krahët prej argjendi, barku e ijët prej bronzi, këmbët prej hekuri, ndërsa shputat e këmbëve pjesërisht prej hekuri e pjesërisht prej balte. Teksa ti po shikoje, u shkëput një gur, pa e hedhur dora e askujt, dhe e goditi shtatoren në këmbët e saj prej hekuri e prej balte dhe ia copëtoi. Atëherë hekuri, balta, bronzi, argjendi dhe ari u thërrmuan e u bënë si kashta në lëmin e verës. I mori era e nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre, ndërsa guri që goditi shtatoren u bë si një mal i madh dhe mbuloi mbarë tokën. Kjo ishte ëndrra. E tani do t'i tregojmë mbretit shpjegimin e saj. Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve. Ty ta ka dhënë Perëndia i qiejve mbretërimin, pushtetin, fuqinë dhe nderin. Në pushtetin tënd ai i la të gjithë njerëzit e botës, kafshët e fushës dhe zogjtë e qiellit. Të ka bërë sunduesin e të gjithë këtyre; ti je koka e artë. Pas teje do të dalë një mbretëri tjetër, më e vogël se e jotja, dhe pastaj një mbretëri e tretë, prej bronzi, që do të sundojë mbarë tokën. Mbretëria e katërt do të jetë e fortë porsi hekuri, sepse si hekuri do të dërrmojë e do të thërrmojë gjithçka dhe, ashtu siç i shtyp hekuri të gjitha këto, ashtu do t'i dërrmojë e do t'i thërrmojë. Shputat e këmbëve, pjesërisht prej balte poçari e pjesërisht prej hekuri, që ti pe, tregojnë se do të jetë një mbretëri e ndarë. Do të ketë njëfarë fuqie si hekuri, siç e pe, por do të jetë e përzier me baltën e poçarit. Ashtu si gishtërinjtë e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej balte, ashtu edhe mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e dobët. Hekuri i përzier me baltën e poçarit, që pe, tregon se mbretëritë do të përzihen përmes martesave e trashëgimtarëve, por nuk do të mund të bashkohen, sikurse hekuri nuk përzihet me baltën. Gjatë sundimit të atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të ngrejë një tjetër mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë e nuk do t'i jepet një populli tjetër. Ajo mbretëri do t'i dërrmojë e do t'i shkatërrojë të gjitha këto mbretëri, por vetë do të mbetet përjetë. Ky është kuptimi i gurit të madh që pe, i cili u shkëput prej shkëmbit pa e hedhur dora e askujt dhe thërrmoi hekurin, bronzin, baltën, argjendin e arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ëndrra është e vërtetë dhe shpjegimi i saj i besueshëm». Atëherë mbreti Nabukodonosor ra përmbys me fytyrë përdhe para Danielit për ta nderuar dhe urdhëroi t'i kushtonin fli dhe temjan. Mbreti iu përgjigj Danielit e i tha: «Me të vërtetë, Perëndia juaj është Perëndia i Perëndive dhe Zoti i të gjithë mbretërve! Ai është zbuluesi i të fshehtave, përderisa ti munde ta zbulosh këtë të fshehtë». Mbreti e nderoi Danielin e i dha shumë dhurata. Ai e caktoi qeveritar të mbarë krahinës së Babilonisë dhe e bëri kreun e gjithë të diturve të Babilonisë. Danieli i kërkoi mbretit që të caktonte në vende drejtuese të krahinës së Babilonisë Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. Vetë Danieli u bë këshilltar i mbretit. Mbreti Nabukodonosor bëri një shtatore prej ari tridhjetë metra të lartë dhe tre metra të gjerë dhe e vendosi në fushën e Durës, në krahinën e Babilonisë. Mandej dërgoi që të mblidheshin të gjithë satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit, këshilltarët, krerët e thesarit, gjyqtarët, shkruesit e ligjit dhe të gjithë zyrtarët e krahinave, për përurimin e shtatores që kishte ngritur. Kështu, satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit, këshilltarët, krerët e thesarit, gjyqtarët, shkruesit e ligjit dhe të gjithë zyrtarët e krahinave u mblodhën për përurimin e shtatores, që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor, dhe qëndruan para saj. Atëherë zëdhënësi thirri me zë të lartë e tha: «Juve, o popuj, kombe e gjuhë, ju jepet ky urdhër: kur të dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, atëherë do të përkuleni përtokë e do të adhuroni shtatoren e artë, që ka ngritur mbreti Nabukodonosor. Kush nuk do të përkulet për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në furrën e zjarrit përvëlues». Kështu, sapo dëgjuan tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, të gjithë popujt e çdo kombi e të çdo gjuhe u përkulën dhe adhuruan shtatoren e artë që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor. Por, në atë kohë, disa kaldenj gjetën rastin për të paditur judenjtë. Ata u paraqitën te mbreti Nabukodonosor e i thanë: «Rrofsh përgjithmonë, o mbret! Ti, o mbret, nxore një urdhër sipas të cilit, të gjithë njerëzit që do të dëgjonin tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, do të përkuleshin dhe do të adhuronin shtatoren e artë, dhe se kushdo që nuk do të përkulej për të adhuruar, do të hidhej në furrën e zjarrit përvëlues. Por, disa judenj, që ti i ke caktuar si drejtues të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja, nuk të binden, o mbret. Ata nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk e adhurojnë shtatoren e artë që ke ngritur ti». Atëherë Nabukodonosori, i tërbuar nga zemërimi, urdhëroi që t'i sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. Kur i sollën para mbretit, ai i pyeti e u tha: «A është e vërtetë Shadrak, Meshak dhe Abed Nego, që ju nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk e adhuroni shtatoren që kam ngritur unë? Tani, kur të dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, nëse nuk përkuleni për të adhuruar shtatoren që kam bërë unë, do të hidheni menjëherë në furrën e zjarrit përvëlues. Cili perëndi do t'ju shpëtojë prej duarve të mia?». Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja iu përgjigjën mbretit Nabukodonosor e i thanë: «Nuk kemi nevojë të të japim asnjë përgjigje për këtë, o mbret. Ja, Perëndia, që ne adhurojmë, është në gjendje të na shpëtojë prej furrës së zjarrit përvëlues e të na çlirojë prej dorës sate, o mbret. Por, edhe nëse nuk e bën, dije, o mbret, se ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do ta adhurojmë shtatoren e artë që ke ngritur ti». Atëherë Nabukodonosori u mbush me zemërim, i ndryshoi fytyra ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos e dha urdhër që ta nxehnin furrën shtatë herë më shumë se zakonisht. Mandej urdhëroi disa burra të fuqishëm të ushtrisë së tij, që t'i lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon e t'i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues. Atëherë i lidhën ashtu siç ishin veshur, me tunika, me kapele e me rroba dhe i hodhën në mes të furrës së zjarrit përvëlues. Por, meqenëse urdhri i mbretit ishte i ashpër dhe furra ishte tejnxehur, flakët e zjarrit i dogjën ushtarët që hodhën në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. Kështu, tre djemtë, Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja, ranë të lidhur në mes të furrës së zjarrit përvëlues. Atëherë mbreti Nabukodonosor shtangu, brofi menjëherë në këmbë dhe pyeti këshilltarët e tij: «A nuk hodhëm tre burra të lidhur në mes të flakës?». Ata iu përgjigjën: «Po, o mbret». «Si, pra, unë shoh katër burra të palidhur», tha mbreti, «që ecin në mes të flakës, pa u djegur? Pamja e të katërtit ngjan me një qenie hyjnore». Nabukodonosori iu afrua grykës së furrës së zjarrit përvëlues e tha me zë të lartë: «Shadrak, Meshak dhe Abed Nego, ju, o shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë, dilni prej aty dhe ejani!». Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja dolën nga zjarri. Satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të parë ata burra dhe, ja, zjarri nuk ua kishte prekur trupat, flokët e kokës nuk ua kishte përcëlluar, nuk ua kishte dëmtuar tunikat dhe, madje, nuk vinin as era zjarr. Atëherë Nabukodonosori tha: «Bekuar qoftë Perëndia i Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos, i cili dërgoi engjëllin e tij për të shpëtuar shërbëtorët e tij. Ata patën besim tek ai dhe e shkelën urdhrin e mbretit, por rrezikuan t'u digjeshin trupat dhe nuk u përkulën për të adhuruar perëndi tjetër, përveç Perëndisë së tyre! Prandaj kam nxjerrë këtë vendim: cilido popull, komb apo gjuhë që do të flasë kundër Perëndisë së Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos të bëhet copë e çikë dhe shtëpia e tij të kthehet në vend plehrash, se nuk ka tjetër Perëndi që mund të shpëtojë kështu». Pas kësaj, mbreti i ngriti në detyrë Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon në krahinën e Babilonisë. Mbreti Nabukodonosor u drejtohet të gjithë popujve, kombeve e gjuhëve që banojnë në mbarë tokën: «U shtoftë paqja juaj! M'u duk mirë t'ju bëja të ditur shenjat dhe mrekullitë që bëri për mua Perëndia i tejlartë. Sa të mëdha janë shenjat e tij, sa të fuqishme mrekullitë e tij! Mbretëri e amshuar mbretëria e tij, sundimi i tij është brez pas brezi!». «Ja, unë, Nabukodonosori, jetoja i qetë në shtëpinë time dhe isha i begatë në pallatin tim, kur, ja, pashë një ëndërr që më futi frikën. Teksa isha shtrirë në shtratin tim, më shqetësonin pandehmat e mendjes dhe vegimet. Pastaj dhashë urdhër të paraqiteshin para meje të gjithë dijetarët e Babilonisë, që të më tregonin shpjegimin e ëndrrës. Erdhën shortarët, magjistarët e dijetarët kaldenj të yjeve dhe ua tregova ëndrrën, por ata nuk ma treguan dot shpjegimin e saj. Në fund, u paraqit Danieli që quhet Belteshacar, sipas emrit të perëndisë tim, dhe që ka shpirtrat e perëndive. Unë i tregova ëndrrën e i thashë: “Belteshacar, ti je kreu i shortarëve. Unë e di se ti ke shpirtin e perëndive të shenjtë dhe asnjë e fshehtë nuk është e vështirë për ty. Ma trego shpjegimin e ëndrrës që pashë. Teksa isha shtrirë në shtratin tim, pashë këtë vegim: në mes të tokës, ja, ishte një pemë, lartësia e saj shumë e madhe! U rrit pema, e fortë u bë, maja e saj qiejt preku, nga skajet e tokës mund të shihej. Sa të bukura gjethet e saj, sa i begatë fryti i saj, ushqim për të gjithë ajo kishte! Nën hijen e saj preheshin kafshët e fushës, në degët e saj folenë kishin zogjtë e qiellit, prej saj ushqehej çdo gjë e gjallë. I shtrirë në shtratin tim po shikoja vegimet e mendjes sime, kur, ja, një rojtar i shenjtë, ia behu prej qiellit! Me zë të fortë shpalli e tha: ‘Priteni pemën, këputjani degët, shkundjani gjethet, shpërndajani frutat! Dëbojini kafshët prej hijes së saj, shpendët prej degëve të saj! Por lëreni trungun me gjithë rrënjë në dhe, të rrethuar me vargonj hekuri e bronzi, atje në mes të barit të fushës. Le ta ujitë vesa e qiellit, barin e fushës me egërsirat ta ndajë. Le t'ia ndryshojnë, pra, zemrën, që të mos ketë më zemër njeriu, por zemër kafshe të ketë, e le të kalojnë mbi të shtatë stinë’. Këtë vendim morën rojtarët, me urdhërin e të shenjtëve u bë kjo, që të gjallët ta marrin vesh, se është i Tejlarti ai që sundon mbi të gjitha mbretëritë njerëzore, dhe mbretërimin ia jep kujt të dojë, më të përulurin në krye të saj e lartëson. Kjo ishte ëndrra që pashë unë, mbreti Nabukodonosor. E tani ti, o Belteshacar, më trego shpjegimin e saj, sepse askush nga dijetarët e mbretërisë sime nuk mund të ma shpjegojë. Por ti mundesh, sepse ke brenda teje shpirtin e perëndive të shenjtë”». Atëherë Danieli, që quhej Belteshacar, u tmerrua për një çast dhe mendimet iu trazuan. Por mbreti i tha: «Belteshacar, mos u tmerro prej ëndrrës dhe kuptimit të saj». Belteshacari iu përgjigj: «Imzot, ëndrra jote u plotësoftë mbi armiqtë e tu dhe shpjegimi i saj mbi kundërshtarët e tu! Pema që pe, madhështore dhe e fortë, maja e së cilës rrokte qiejt dhe mund të shihej nga e gjithë toka, që i kishte gjethet të bukura, që jepte fruta të begatë dhe që kishte ushqim për të gjithë, nën hijen e së cilës preheshin kafshët e fushës dhe në degët e së cilës kishin folenë zogjtë e qiellit, ajo pemë je ti, o mbret. Ti je bërë madhështor e i fuqishëm. Madhështia jote ka arritur qiejt dhe sundimi yt është shtrirë deri në skajet e tokës. Por, mandej, mbreti pa një rojtar të shenjtë që zbriti prej qiellit e tha: “Priteni pemën dhe shkatërrojeni, por lini në dhe cungun me gjithë rrënjë, rrethuar me vargonj hekuri e bronzi, në mes të barit të fushës. Le ta ujitë vesa e qiellit dhe barin e fushës ta ndajë me egërsirat, derisa të kalojnë mbi të shtatë stinë”. Ky është shpjegimi, o mbret, dhe vendimi që ka marrë i Tejlarti për zotërinë tim, mbretin: do të dëbohesh nga njerëzia e do të banosh me kafshët e fushës. Do të të japin të hash bar si kau dhe do të lagesh prej vesës së qiellit. Shtatë stinë do të kalojnë mbi ty, derisa ta kesh kuptuar se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë. Sa për urdhrin që të lënë trungun bashkë me rrënjët, kjo do të thotë se mbretëria do të të kthehet, kur të pranosh se Sunduesi është qielli. Prandaj, o mbret, dëgjoje këshillën time: jepu fund mëkateve e bëj çka është e drejtë. Ndali paudhësitë e tua dhe tregohu i mëshirshëm me të varfrit. Ndoshta kështu do të zgjasë begatia jote». Të gjitha këto i ndodhën mbretit Nabukodonosor. Pas dymbëdhjetë muajsh, teksa ecte në pallatin e tij mbretëror, mbreti tha: «A nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë e ndërtova si kryeqendër të mbretërisë sime me fuqinë e me pushtetin tim, për lavdinë e madhërisë sime?». E ndërsa mbreti po fliste ende, erdhi një zë prej qiellit që tha: «Po ta shpall, o mbret Nabukodonosor, mbretërimi t'u hoq! Do të të dëbojnë nga njerëzia dhe do të banosh me kafshët e fushës. Do të të japin të hash bar si kau dhe do të lagesh prej vesës së qiellit. Shtatë stinë do të kalojnë mbi ty, derisa ta kesh kuptuar se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë». Po atë çast u përmbush fjala e thënë për Nabukodonosorin. E dëbuan nga njerëzia dhe ai hëngri bar si kau. Trupi i tij u lag prej vesës së qiellit, derisa flokët iu zgjatën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë si kthetrat e shpendëve. «Në fund të kohës së caktuar, unë Nabukodonosori, ngrita sytë në qiej e m'u kthye arsyeja. Atëherë bekova të Tejlartin, lavdërova e përlëvdova atë që jeton në amshim e thashë: sundimi i tij, sundim i amshuar, mbretërimi i tij, brez pas brezi. Të gjithë banorët e tokës hiçgjë janë para tij. Sipas dëshirës së tij ai vepron me mbarë ushtritë e qiejve, me gjithë banorët e tokës. Askush nuk ia ndal dot dorën, apo t'i thotë: “Çfarë po bën?”. Në atë kohë m'u kthye arsyeja dhe, bashkë me lavdinë e mbretërisë, m'u kthye edhe madhështia. Këshilltarët dhe fisnikët e mi më kërkuan dhe unë u vura sërish në krye të mbretërisë sime. Madhështia ime u rrit edhe më tepër. Tani, unë, Nabukodonosori, lavdëroj, nderoj e përlëvdoj mbretin e qiejve. Të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe udhët e tij janë të drejta. Ai e ka pushtetin t'i ulë poshtë ata që ecin me krenari». Mbreti Belshacar bëri një gosti të madhe për një mijë fisnikë të tij dhe në prani të tyre piu verë. Nën ndikimin e verës, Belshacari urdhëroi t'i sillnin enët prej ari e prej argjendi, të cilat Nabukodonosori, ati i tij, i kishte marrë prej tempullit të Jerusalemit, që të pinte me to bashkë me fisnikët e tij, me gratë e me shemrat e tij. I sollën, pra, enët prej ari që ishin marrë prej tempullit të Perëndisë në Jerusalem dhe mbreti piu prej tyre bashkë me fisnikët, me gratë e me shemrat e tij. Pinë verë dhe përlëvduan perënditë prej ari, prej argjendi, prej bronzi, prej hekuri, prej druri apo prej guri. Teksa pinin, u shfaqën gishtërinjtë e një dore njeriu, që filluan të shkruanin mbi suvanë e murit të pallatit mbretëror, përballë pishtarit të madh. Kur mbreti e pa dorën që po shkruante, u zverdh në fytyrë, iu pështjelluan mendimet, nyjat e ijëve e lëshuan dhe gjunjët filluan t'i dridheshin e t'i përplaseshin. Atëherë mbreti ulëriu dhe urdhëroi t'i sillnin shortarët, magjistarët e dijetarët e yjeve. Pastaj mbreti u tha dijetarëve të Babilonisë: «Kush mund ta lexojë këtë shkrim e të më tregojë kuptimin e tij, do të vishet me të purpurta, do t'i vihet një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e vendit». Shkuan të gjithë dijetarët e mbretit, por nuk mundën ta lexonin shkrimin e as t'i tregonin kuptimin. Atëherë mbreti Belshacar u tmerrua e u zverdh edhe më shumë në fytyrë. Edhe fisnikët e tij u tronditën. Mbretëresha dëgjoi ulërimën e mbretit dhe të fisnikëve të tij. Atëherë ajo hyri në sallën e gostisë e tha: «Rrofsh përgjithmonë, o mbret! Mos u tmerro prej mendimeve të tua e mos u zverdh në fytyrë. Në mbretërinë tënde është një njeri që ka shpirtin e perëndive të shenjtë. Në ditët e atit tënd, ai ishte i ndriçuar, kishte aftësinë për të kuptuar, si dhe një urti të ngjashme me atë të perëndive. Madje, mbreti Nabukodonosor, ati yt, e kishte caktuar kryetar të shortarëve, të magjistarëve dhe të dijetarëve të yjeve. Ky Danieli, që mbreti e quajti Belteshacar, ka një shpirt të jashtëzakonshëm, ka njohuri, mençuri dhe aftësinë për të shpjeguar ëndrrat, për të zbuluar të fshehtat e për të zgjidhur çështjet e ndërlikuara. Të thirret, pra, Danieli dhe ai do ta japë kuptimin e shkrimit». Atëherë Danielin e sollën para mbretit dhe mbreti e pyeti: «A je ti Danieli, një nga bijtë e të shpërngulurve të Judës, që ati im, mbreti, i solli prej Judës? Kam dëgjuar se ti ke shpirtin e perëndive dhe se zotëron njohuri, mençuri e urti të madhe. Pak më parë sollën para meje dijetarët dhe shortarët që të lexonin këtë shkrim e të më tregonin kuptimin e tij, por ata nuk ma treguan dot kuptimin. Kam dëgjuar se ti je i aftë të shpjegosh gjëra e të zgjidhësh çështje të ndërlikuara. Nëse do t'ia dalësh ta lexosh këtë shkrim e të më tregosh kuptimin e tij, do të vishesh me të purpurta, do të të vihet një gjerdan ari në qafë dhe do të jesh i treti në qeverisjen e vendit». Danieli iu përgjigj mbretit e tha: «Dhuratat e tua mbaji për vete dhe shpërblimet e tua jepja dikujt tjetër. Gjithsesi, unë shkrimin do ta lexoj dhe kuptimin e tij do t'ia tregoj mbretit. O mbret, Perëndia i tejlartë i kishte dhënë atit tënd, Nabukodonosorit, mbretërinë, madhështinë, lavdinë dhe nderin. Falë madhështisë që i kishte dhënë Perëndia, të gjithë popujt, kombet e gjuhët dridheshin nga frika para tij. Ai vriste kë të donte e linte gjallë kë të donte. Nderonte kë të donte e poshtëronte kë të donte. Por, kur zemra iu mbush me krenari dhe në shpirt s'kishte veçse mburrje, e rrëzuan prej fronit të mbretit dhe ia hoqën lavdinë. E dëbuan nga njerëzia, zemra iu bë si e kafshëve dhe banonte me gomarët e egër. I dhanë të hajë bar si kau dhe trupin ia lagte vesa e qiellit, derisa kuptoi se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë. Por ti, o Belshacar, që je biri i tij, nuk e përule zemrën, ndonëse i dije të gjitha këto. Përkundrazi, iu kundërvure Zotit të qiellit dhe urdhërove të të sjellin enët e tempullit të tij dhe me to pive verë bashkë me fisnikët, me gratë e me shemrat e tua. Nderove perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri, që as shohin, as dëgjojnë e as kuptojnë dhe Perëndisë, që ka në dorë frymën tënde dhe të ardhmen tënde, nuk i dhe lavdi. Prandaj ai dërgoi këtë pëllëmbë, që të shkruante këtë shkrim. Ja, çka është shkruar: “Mene, mene, tekel ufarsin ”. Kuptimi i “mene” është se Perëndia e ka matur mirë mbretërinë tënde dhe i ka dhënë fund. Kuptimi i “tekel” është se të kanë peshuar me peshore dhe ke dalë mangët. Kuptimi i “peres” është se mbretëria jote u nda më dysh e iu dha medëve e persëve». Atëherë Belshacari dha urdhër dhe Danielin e veshën me të purpurta, i vunë gjerdan ari në qafë dhe e shpallën të tretin në qeverisjen e mbretërisë. Po atë natë, Belshacari, mbreti i kaldenjve, u vra. Mbretërinë e mori Dari, medi, në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeçare. Dari vendosi të caktonte njëqind e njëzet satrapë, të cilët do të sundonin mbi të gjithë mbretërinë. Mbi ta ai caktoi tre mbikëqyrës, njëri prej të cilëve ishte Danieli. Satrapët duhej t'u jepnin llogari mbikëqyrësve, që të mos i bëhej asnjë dëm mbretit. Danieli shquhej ndër mbikëqyrës e satrapë për shkak të shpirtit të jashtëzakonshëm dhe mbreti po mendonte ta caktonte mbi gjithë mbretërinë. Atëherë mbikëqyrësit dhe satrapët kërkonin të gjenin ndonjë rast kundër Danielit për mënyrën e qeverisjes së mbretërisë, por nuk gjetën asnjë shkak apo gabim, sepse Danieli ishte besnik dhe tek ai nuk gjeje asnjë mefshtësi apo faj. Atëherë thanë: «Nuk kemi për të gjetur asnjë shkak kundër Danielit, përveç ndonjë gjëje që ka lidhje me ligjin e Perëndisë së tij». Kështu, mbikëqyrësit dhe satrapët u paraqitën të gjithë bashkë te mbreti e i thanë: «Rrofsh përgjithmonë, o mbreti Dar! Të gjithë mbikëqyrësit e mbretërisë, qeveritarët e krahinave, satrapët, këshilltarët e të gjithë zyrtarët janë të mendimit që të shpallet një vendim mbretëror, sipas të cilit kushdo që i drejton ndonjë kërkesë për tridhjetë ditë ndonjë perëndie apo njeriu, përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve. Prandaj, o mbret, miratoje këtë vendim dhe nënshkruaje, që të mos e ndryshojë kush, në përputhje me ligjin e medëve e persëve, i cili është i pakthyeshëm». Atëherë, mbreti Dar nënshkroi vendimin. Danieli e mori vesh nënshkrimin e vendimit dhe shkoi në shtëpinë e tij e u ngjit në dhomën e sipërme, ku kishte hapur dritare që shikonin në drejtim të Jerusalemit. Lutej tri herë në ditë, binte në gjunjë dhe përlëvdonte Perëndinë, ashtu siç kishte bërë përherë. Atëherë ata burra shkuan të gjithë bashkë dhe e gjetën Danielin duke iu lutur e duke iu përgjëruar Perëndisë së tij. Mandej shkuan te mbreti e i thanë për vendimin e tij: «O mbret, a nuk e nënshkrove ti vendimin se kush i drejton ndonjë kërkesë për tridhjetë ditë ndonjë perëndie apo njeriu, përveç teje, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?». Mbreti u përgjigj e tha: «Më se e vërtetë! Kështu e kërkon ligji i medëve e i persëve, i cili është i pakthyeshëm». Atëherë ata i thanë mbretit: «Danieli, një nga bijtë e të shpërngulurve të Judës, nuk tregon as njëfarë nderimi për ty, o mbret, dhe as që do t'ia dijë për vendimin që nënshkrove, por i lutet Perëndisë së tij tri herë në ditë». Kur dëgjoi këtë, mbreti u mërzit shumë dhe po mendonte sesi ta shpëtonte Danielin. Deri në perëndim të diellit u përpoq si e si ta shpëtonte. Atëherë ata burra u paraqitën sërish të gjithë bashkë para mbretit e i thanë: «Dije, o mbret, se, sipas ligjit të medëve e të persëve, asnjë ndalesë apo vendim që ka caktuar mbreti, nuk mund të ndryshojë». Kështu, mbreti urdhëroi të sillnin Danielin e ta hidhnin në gropën e luanëve. E mbreti i tha Danielit: «Perëndia yt, të cilit ti i shërben përherë, të shpëtoftë!». Mandej sollën një gur, e vunë mbi grykën e gropës, mbreti e vulosi me unazën e vet dhe me unazat e fisnikëve të tij, që të mos ndryshonte asgjë lidhur me dënimin e Danielit. Pastaj mbreti shkoi në pallatin e tij dhe e kaloi natën pa ngrënë. Nuk u argëtua dhe nuk e zuri gjumi. Në mëngjes u ngrit herët e shkoi me nxitim te gropa e luanëve. Kur iu afrua gropës, i thirri Danielit me zë të përvajshëm e i tha: «O Daniel, shërbëtor i Perëndisë së gjallë! Perëndia yt, që ti e adhuron përherë, a të ka shpëtuar dot prej luanëve?». Atëherë Danieli iu përgjigj: «Rroftë përgjithmonë mbreti! Perëndia im dërgoi engjëllin e vet dhe ia mbylli gojën luanëve. Luanët nuk më lënduan, se jam i pafajshëm para Perëndisë, por edhe para teje, o mbret, e nuk kam bërë asnjë të keqe». Mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi ta nxirrnin Danielin prej gropës. Ata e nxorën Danielin prej gropës dhe ai nuk kishte pësuar asgjë, sepse kishte pasur besim te Perëndia i vet. Pastaj, me urdhër të mbretit, i morën ata që kishin shpifur kundër Danielit dhe i hodhën në gropën e luanëve, bashkë me fëmijët e me gratë e tyre. Luanët iu vërsulën pa e arritur mirë fundin e gropës dhe ua bënë kockat copë e çikë. Mbreti Dar u shkroi të gjithë popujve, kombeve e gjuhëve, që banonin në mbarë tokën: «E madhe qoftë paqja me ju! Kam nxjerrë një vendim, sipas të cilit të gjithë sa banojnë në mbretërinë ku sundoj unë, ta druajnë Perëndinë e Danielit e të dridhen para tij. Ai, pra, është Perëndia i gjallë, ai është përjetë e në amshim. Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë, sundimi i tij do të mbetet përjetë. Ai shpëton e çliron, ai bën shenja e mrekulli në qiej e mbi tokë. Ai e shpëtoi Danielin prej kthetrave të luanëve». Kështu, Danieli pati mbarësi gjatë sundimit të Darit dhe gjatë mbretërimit të Kirit, persit. Në vitin e parë të Belshacarit, mbretit të Babilonisë, Danieli pa një ëndërr dhe një vegim në mendjen e tij, teksa ishte në shtrat. Mandej ai e shkroi ëndrrën dhe thelbin e saj. Danieli tregoi e tha: «Po shikoja një vegim natën, kur ja, katër erërat e qiellit po trazonin detin e madh dhe katër bisha të mëdha dolën prej detit. Bishat ishin të ndryshme nga njëra-tjetra. E para ngjante me luanin, por kishte krahë si të shqiponjës. Teksa po e vështroja, krahët iu këputën. Mandej u ngrit nga toka, qëndroi në dy këmbë si njeri e iu dha një zemër njeriu. Pastaj ia behu një bishë tjetër, bisha e dytë, që ngjante me ariun. Bisha ishte ngritur në njërin krah dhe në gojë kishte tri brinjë që i mbante ndër dhëmbë. Asaj iu dha ky urdhër: “Ngrihu e ha shumë mish!”. Ende po vështroja, kur ia behu një bishë tjetër që ngjante me leopardin. Bisha kishte katër krahë shpendi mbi kurriz dhe katër kokë. Asaj iu dha pushteti për të sunduar. Teksa ende po vështroja në vegime natën, ia behu një bishë e katërt, e tmerrshme dhe e frikshme, shumë e fuqishme e me dhëmbë të mëdhenj hekuri. Hante e thërrmonte. Ç'ngelte e shtypte me këmbë. Kjo bishë ishte ndryshe nga të gjitha bishat e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë. Po i vështroja brirët, kur, mes brirëve, i mbiu një bri tjetër i vogël. Tre nga brirët e mëparshëm u shkulën prej tij. Ky bri kishte sy si të njeriut dhe gojë që fliste fjalë madhështore». Po vështroja sërish, kur, ja, u vendos një fron dhe i Lashti i Ditëve u ul mbi të. Rrobat e tij të bardha si dëbora, flokët e kokës si leshi i pastër. Froni i tij porsi flakët e zjarrit, me rrota si zjarri përvëlues. Një lumë zjarri derdhej, prej pranisë së tij buronte. Mijëra e mijëra njerëz i shërbenin, miliarda e miliarda para tij qëndronin. Nisi gjyqi, librat u hapën. Pashë se prej tingullit të fjalëve madhështore, që fliste briri, bisha u shkatërrua dhe pashë se kufoma e saj u copëtua e u hodh për t'u djegur në zjarr. Bishave të tjera iu hoq pushteti, por iu lejua ta zgjatnin jetën edhe për një kohë të caktuar. Po shikoja vegim natën dhe ja, bashkë me retë e qiellit po vinte dikush që ngjante me bir njeriu. Arriti deri tek i Lashti i Ditëve, para tij e paraqitën. Atij iu dha pushteti, lavdia e mbretëria, mbarë popujt, kombet e gjuhët atij do t'i shërbejnë. Sundimi i tij i amshuar do të jetë e fund nuk do të ketë, mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë. Mua, Danielit, m'u trazua shpirti përbrenda dhe vegimet që pashë në mendjen time, më futën tmerrin. Atëherë iu afrova njërit prej atyre që qëndronin atje dhe e pyeta për kuptimin e vërtetë të gjithë këtyre gjërave. Ai m'u përgjigj e më dha shpjegimin e këtyre gjërave: «Këto katër bishat e mëdha janë katër mbretër që do të dalin nga toka. Por, mandej mbretërinë do ta marrin të shenjtët e të Tejlartit dhe do ta mbajnë përherë e deri në amshim». Pastaj doja të mësoja të vërtetën për bishën e katërt, e cila ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat. Ajo ishte më e tmerrshmja, me dhëmbë prej hekuri e kthetra prej bronzi. Gëlltiste, thërrmonte e ç'të mbetej e shkelte me këmbë. Doja të dija edhe për dhjetë brirët që kishte në kokë dhe për bririn tjetër që i mbiu e që shkuli tre nga brirët e mëparshëm. Ky bri kishte sy e gojë që fliste fjalë madhështore. Nga pamja dukej më i madh se të tjerët. Teksa vështroja, ai bri luftonte kundër të shenjtëve dhe po fitonte, derisa mbërriti i Lashti i Ditëve. Ai u dha të drejtën të shenjtëve të të Tejlartit e mandej erdhi koha kur të shenjtët morën si trashëgimi mbretërinë. Ai më tha kështu: «Bisha e katërt do të jetë mbretëria e katërt mbi tokë dhe ndryshe nga mbretëritë e tjetra. Gjithë tokën do ta gllabërojë, do ta shtypë e do ta thërrmojë. Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër që prej kësaj mbretërie do të dalin. Por pas tyre, do të dalë një mbret tjetër, i ndryshëm nga mbretërit e parë, e tre mbretër do të rrëzojë. Fjalë kundër të Tejlartit do të shqiptojë, të shenjtët e tij do t'i përndjekë. Do të përpiqet të ndryshojë të kremtet dhe ligjin e në dorën e tij për njëfarë kohe do të bien, për disa kohë e për një gjysmë kohe. Mandej do t'i bëhet gjyqi dhe sundimi do t'i hiqet. Ai vetë do të zhbihet, përgjithmonë do të shfaroset. Popullit të shenjtë të të Tejlartit iu dha mbretërimi, pushteti e madhështia e të gjitha mbretërive nën qiellin mbarë. Mbretëria e tij do të jetë mbretëri e amshuar dhe të gjithë sunduesit atij do t'i shërbejnë e atij do t'i binden». Këtu merr fund tregimi i vegimit. Mua, Danielin, mendimet më munduan shumë, fytyra m'u err, por këto gjëra i ruajta në zemrën time. Në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshacar, unë, Danieli, pashë një vegim tjetër, pas vegimit të parë që më ishte shfaqur. Teksa po shihja vegimin, pashë se isha në fortesën e Shushanit, që ndodhet në krahinën e Elamit, dhe po ashtu pashë në vegim se isha pranë lumit të Ulait. Ngrita sytë për të parë, kur ja, një dash me dy brirë po qëndronte përbri lumit. Brirët i kishte të mëdhenj, por njëri bri ishte më i lartë se tjetri, ndonëse kishte mbirë i fundit. Pashë dashin të gjuante me brirë drejt perëndimit, drejt veriut e drejt jugut. Asnjë kafshë nuk i bënte dot ballë e askush nuk i shpëtonte dot pushtetit të tij. Dashi bënte ç'të donte dhe bëhej gjithnjë e më i madh. Teksa po vështroja, ia behu një cjap nga perëndimi, i cili përshkoi mbarë sipërfaqen e tokës, pa e prekur tokën. Cjapi kishte mes syve një bri madhështor. Mandej iu afrua dashit me dy brirë, që kisha parë të qëndronte përbri lumit, dhe iu vërsul me sa fuqi kishte. E pashë tek iu afrua dashit, duke turfulluar kundër tij. Iu vërsul e ia theu të dy brirët. Dashi nuk kishte më fuqi të qëndronte. Cjapi e plandosi dashin përtokë, e shtypi me këmbë dhe askush nuk mund ta shpëtonte prej thundrës të tij. Cjapi u bë shumë i madh, por kur arriti kulmin e fuqisë, iu thye briri madhështor. Në vend të tij mbinë katër brirë të tjerë madhështorë, me drejtim nga të katër erërat e qiellit. Nga njëri prej brirëve doli një bri tjetër, i vogël në fillim, por që u rrit shumë në drejtim të jugut, të lindjes e të vendit të bukur. Briri u rrit derisa arriti ushtrinë e qiellit, rrëzoi përtokë një pjesë të ushtrisë qiellore dhe një pjesë të yjeve e i shkeli me këmbë. Madje, u lartësua deri te kreu i ushtrisë qiellore, hoqi flinë e përhershme dhe shembi vendin e shenjtërores së tij. Caktoi një ushtri kundër flisë së përhershme, të vërtetën e plandosi përtokë dhe pati mbarësi në çdo gjë që bëri. Atëherë dëgjova një qenie të shenjtë që po fliste. Një tjetër qenie e shenjtë e pyeti atë që po fliste: «Deri kur do të zgjatë kjo që shihet në vegim, ndalimi i flisë së përhershme, paudhësia që po shkreton, rrënimi i shenjtërores dhe shkelja me këmbë e ushtrisë qiellore?». Ai m'u përgjigj: «Shenjtërorja do të pastrohet pas dy mijë e treqind ditësh e netësh». Kur pashë vegimin, unë, Danieli, dëshiroja ta kuptoja. E ja, para meje qëndroi dikush që ngjante me një njeri. Atëherë dëgjova një zë njeriu prej lumit Ulai, që tha: «Gabriel, shpjegoja vegimin!». Gabrieli erdhi pranë meje. Atëherë unë u tmerrova e rashë me fytyrë përtokë, por ai më tha: «Ta dish, o bir njeriu, se ky vegim është për fundin e kohërave». Ndërsa ai po më fliste, më kishte kapluar një gjumë i rëndë e kisha rënë me fytyrë përdhe. Atëherë ai më preku, më ngriti në këmbë e më tha: «Ja, po të bëj të njohur çka për të ndodhur në kohën e fundit të zemërimit, sepse ka lidhje me kohën e fundit të caktuar. Dashi me dy brirë, që pe, janë mbretërit e Medës e Persisë. Cjapi është mbreti i Greqisë. Briri i madh, që i pe ndër sy, është mbreti i parë. Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin prej këtij kombi, por që nuk do ta kenë fuqinë e tij. Nga fundi i mbretërimit të tyre, kur paudhësitë e tyre të kenë arritur kulmin, do të dalë një mbret i pafytyrë e dinak. Ai do të bëhet shumë i fuqishëm, por jo me forcat e veta. Do të sjellë shkatërrime marramendëse, do të ketë mbarësi në gjithçka që bën e do të shkatërrojë njerëz të fuqishëm dhe popullin e të shenjtëve. Do të dijë ta përdorë mirë mashtrimin në saje të mprehtësisë së tij, do të krenohet në zemrën e vet dhe do të shkatërrojë shumë vetë që jetonin të sigurt. Do të ngrihet kundër princit të princave e do të thyhet, por jo nga dora njerëzore. Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, që t'u tregua, është i vërtetë, por ti mbaje të fshehtë, sepse ka lidhje me gjëra që do të ndodhin pas shumë kohësh». E unë, Danieli, u këputa e u sëmura për shumë ditë. Mandej u ngrita dhe vijova punën në shërbim të mbretit. Vegimi më kishte tmerruar e askush nuk mund ta kuptonte. Në vitin e parë të mbretërimit të Darit, birit të Kserksit, me prejardhje nga Meda, i cili ishte bërë mbret i kaldenjve, në vitin e parë, pra, të mbretërimit të tij, unë, Danieli, shqyrtova librat për të gjetur numrin e viteve të rrënimit të Jerusalemit, sipas fjalës së Zotit drejtuar profetit Jeremi. Ishin shtatëdhjetë. Kështu, e ngrita fytyrën drejt Zotit Perëndi dhe iu luta e iu përgjërova me agjërim, me grathore e me hi. Iu luta Zotit, Perëndisë tim, pohova e thashë: «Ty të përgjërohem, o Zot, Perëndi i madh e i tmerrshëm, ty që e ruan besëlidhjen dhe mirësinë kundrejt atyre që të duan e mbajnë urdhërimet e tua! Kemi mëkatuar e kemi bërë paudhësi, kemi vepruar me ligësi, kemi ngritur krye e jemi larguar nga urdhërimet e nga vendimet e tua. Profetët, shërbëtorët e tu, nuk i dëgjuam, ata që në emrin tënd u folën mbretërve, prijësve dhe etërve tanë, si edhe mbarë popullit të vendit. Ty, o Zot, të përket drejtësia, por neve fytyra e mbuluar me turp, ashtu siç ndodh edhe sot me popullin e Judës, me banorët e Jerusalemit e me të gjithë izraelitët, afër apo larg, atje nëpër vendet ku i ke degdisur ti, për shkak të pabesisë që treguan kundër teje. O Zot, na është mbuluar fytyra me turp, neve dhe mbretërve tanë, prijësve tanë dhe etërve tanë, sepse mëkatuam kundër teje. Por ty, o Zot, Perëndia ynë, të përket mëshira e ndjesa, sepse kemi ngritur krye kundër teje. Zërin e Zotit, Perëndisë tonë, nuk e dëgjuam dhe nuk ecëm sipas ligjeve të tij, që ai na dha përmes profetëve, shërbëtorëve të tij. Mbarë Izraeli e shkeli ligjin tënd dhe ktheu shpinën për të mos e dëgjuar zërin tënd. Prandaj vërshoi mbi ne mallkimi dhe nëma e shkruar në ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, sepse mëkatuam kundër teje. Kështu vure në veprim fjalët, që fole kundër nesh e kundër sunduesve që na qeverisnin, duke sjellë kundër nesh një fatkeqësi të madhe, që nuk ka ndodhur ndonjëherë nën qiej, fatkeqësinë që ra mbi Jerusalem. E gjithë kjo fatkeqësi ra mbi ne, ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut. E megjithatë, ne nuk iu përgjëruam Zotit, Perëndisë tonë, nuk u penduam për paudhësinë tonë e nuk e pranuam të vërtetën tënde. Zoti e ruajti mirë këtë fatkeqësi dhe e hodhi mbi ne, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i drejtë në gjithçka që ka bërë. E megjithatë, ne nuk e dëgjuam. Edhe tani, o Zot, Perëndia ynë, që e nxore popullin tënd prej tokës së Egjiptit me krahun tënd të fuqishëm dhe që fitove një emër të madhërishëm edhe sot e kësaj dite, kemi mëkatuar e kemi kryer ligësi. O Zot, sipas gjithë drejtësisë sate, largoje zemërimin e furinë tënde prej Jerusalemit, qytetit tënd, dhe malit tënd të shenjtë, sepse Jerusalemi e populli yt u bënë turpi i atyre që na rrethojnë për shkak të mëkateve tona e të paudhësive të etërve tanë. Prandaj, o Perëndia ynë, dëgjoje lutjen dhe përgjërimin e shërbëtorit tënd, dhe, për hir të Zotit, le të shndritë fytyra jote mbi shenjtëroren tënde të rrënuar. Mba vesh, o Perëndia im, e dëgjo! Hapi sytë e tu e shiko shkretimin tonë dhe qytetin që mban emrin tënd. Nuk të përgjërohemi për hir të drejtësisë sonë, por prej mëshirës sate të madhe. Dëgjo, o Zot! Fal, o Zot! Vështrona, o Zot, e vepro! Për hirin tënd, o Perëndia im, mos vono, se ky qytet e ky popull mban emrin tënd!». Tek po flisja e po lutesha, tek po rrëfeja mëkatin tim e mëkatet e popullit tim, Izraelit, dhe po i përgjërohesha Zotit, Perëndisë tim, për malin e tij të shenjtë, tek po thosha lutjen, burri që kisha parë fillimisht në vegim, Gabrieli, m'u afrua duke fluturuar vetëtimthi aty nga ora e flisë së mbrëmjes. Ai më shpjegoi e më tha: «Daniel, kam ardhur të të bëj të kuptosh. Kur fillove përgjërimet, m'u tha një fjalë dhe erdha të ta them, sepse je shumë i çmuar. Kuptoje, pra, fjalën time dhe kuptoje vegimin. Shtatëdhjetë javë janë caktuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë, për t'i dhënë fund shkeljes e për të zhbërë mëkatin, për të falur paudhësinë e për të sjellë drejtësinë e amshuar, që të vulosen vegimi e profecia, që të vajoset shenjtërorja e shenjtëroreve. Merre vesh, pra, dhe kuptoje se që nga shpallja e urdhrit për përtëritjen dhe rindërtimin e Jerusalemit e deri tek ardhja e të Vajosurit, princit, do të duhen shtatë javë. Mandej, për gjashtëdhjetë e dy javë do të rindërtohet me sheshe e me ledhe, por do të jenë kohë të vështira. Pas këtyre gjashtëdhjetë e dy javëve, i Vajosuri do të vritet dhe askush nuk do të mbetet me të. Mandej do të vijë populli i një princi të huaj e do ta shkatërrojë qytetin dhe shenjtëroren, por atij do t'i vijë fundi nga një përmbytje. Deri në mbarim të luftës është caktuar të ketë shkatërrime. Për një javë ai do të lidhë një marrëveshje me shumë vetë. Në gjysmën e javës do të ndalë flitë e kushtimet. Në njërën anë të altarit do të ketë një ndyrësi të neveritshme, derisa mbi shkatërruesin të bjerë fundi i caktuar për të». Në vitin e tretë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, Danielit, që quhej Belteshacar, iu njoftua një fjalë. Fjala ishte e vërtetë, por përmbante mundime të mëdha. Danieli e kuptoi atë fjalë, sepse shpjegimi i saj i qe dhënë në vegim. Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë. Nuk hëngra asnjë gjellë të shijshme e nuk futa në gojë as mish, as verë. Nuk u leva as me vaj erëmirë, derisa kaluan ato tri javë. Në ditën e njëzet e katërt të muajit të parë u gjenda në brigjet e lumit të madh të Tigrit. Ngrita sytë, kur, ja, pashë një burrë veshur me petka liri dhe me ijët ngjeshur me ar të pastër Ufazi. Trupi i ngjasonte me topazin, fytyra i ndrinte si vetëtima, sytë i shkëlqenin si pishtarë zjarri, krahët dhe këmbët i ngjasonin me bronzin e lëmuar dhe zëri i ushtonte si zëri i një turme. Vetëm unë, Danieli, e pashë vegimin, ndërsa burrat që ishin me mua nuk e panë, por ata i zuri tmerri dhe ia mbathën e u fshehën. Kështu, unë mbeta vetëm dhe pashë këtë vegim të madhërishëm. Nuk më mbeti pikë fuqie, u zbeha krejt në fytyrë e më lanë forcat. Atëherë dëgjova tingullin e fjalëve të tij dhe, teksa dëgjoja tingullin e fjalëve të tij, më këputi një gjumë i thellë e rashë me fytyrë përtokë. Dhe, ja, më preku një dorë, më bëri të rrija këmbadoras duke u dridhur e më tha: «Daniel, njeri fort i çmuar, përpiqu t'i kuptosh fjalët që po të them dhe ngrihu në këmbë, sepse më kanë dërguar për ty». Kur më tha këto fjalë, u ngrita në këmbë duke u dridhur. Pastaj më tha: «Mos ki frikë, Daniel! Që nga dita e parë kur ti dëshirove me gjithë zemër të kuptoje dhe e përule veten para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha prej tyre. Princi i mbretërisë së Persisë më bëri qëndresë për njëzet e një ditë, por, ja, më erdhi në ndihmë Mikaeli, kryeprinci, dhe unë qëndrova atje pranë mbretërve të Persisë. Tani kam ardhur të të ndihmoj të kuptosh se çfarë do të ndodhë me popullin tënd në fund të ditëve, sepse ky vegim ka të bëjë me ato ditë». Kur më tha këto fjalë, unë rashë me fytyrë përtokë dhe heshta. Atëherë dikush, që ngjante me bir njeriu, më preku buzët dhe unë hapa gojën për të folur e i thashë atij që qëndronte para meje: «Imzot, për shkak të vegimit më kanë zënë dhimbjet e nuk më ka mbetur pikë fuqie. Si është e mundur që unë, shërbëtori i timzoti, të flas me timzot? Ja, fuqitë më kanë lënë e nuk marr dot as frymë». Atëherë ai që ngjante me bir njeriu më preku, më dha fuqi e më tha: «Mos ki frikë, o njeri fort i çmuar! Paqja me ty! Merr fuqi dhe ji i fortë!». Teksa po fliste me mua, më erdhën fuqitë e i thashë: «Fol, imzot, se më dhe forcë». Ai më tha: «A e di përse kam ardhur te ti? Tani do të kthehem për të luftuar kundër princit të persëve. Kur të jem larguar unë, ka për të ardhur princi i Greqisë. Po të lajmëroj ç'është shkruar në librin e së vërtetës. Askush nuk mund të më ndihmojë kundër tyre, përveç Mikaelit, princit tuaj». «Në vitin e parë të Darit, medit, unë i qëndrova pranë për t'i dhënë forcë e për ta mbrojtur. E tani po ta tregoj të vërtetën: ja, në Persi do të mbretërojnë edhe tre mbretër, ndërsa i katërti do të bëhet shumë më i pasur se të gjithë të tjerët. Kur të jetë bërë i fuqishëm, për shkak të pasurisë së tij, do t'i ngrejë në këmbë të gjithë kundër mbretërisë së Greqisë. Atëherë do të dalë një mbret i fuqishëm, i cili do të sundojë me pushtet të madh e do të bëjë ç'të dojë. Por, kur të ketë arritur kulmin e sundimit, mbretëria e tij do të përçahet e do të ndahet në të katër erërat e qiellit, por jo trashëgimtarëve të tij. Askush nuk do ta ketë pushtetin që kishte ai dhe mbretëria e tij do të çrrënjoset e do t'u kalojë të tjerëve, por jo trashëgimtarëve të tij. Mbreti i jugut do të bëhet i fuqishëm, por një nga krerët e ushtrisë së tij do të bëhet edhe më i fuqishëm se ai dhe do të marrë pushtetin. Sundimi i tij do të jetë edhe më i fortë. Pas disa vitesh dy mbretëritë do të bëjnë një marrëveshje dhe bija e mbretit të jugut do të martohet me mbretin e veriut për këtë punë. Por ajo nuk do ta mbajë dot pushtetin dhe as atij nuk do t'i zgjatë pushteti. Ajo do të marrë fund bashkë me ata që e sollën, me atë që e lindi dhe me ata që e ndihmuan në atë kohë. Një pinjoll nga rrënjët e familjes së saj do t'ia zërë vendin. Ai do të ngrihet kundër ushtrisë, do të shkojë në fortesën e mbretit të veriut, do t'i sulmojë e do t'i mposhtë. Ai do të plaçkitë perënditë e tyre, idhujt e tyre të shkrirë, si edhe enët e tyre të çmuara prej argjendi e prej ari dhe do t'i çojë si plaçkë lufte në Egjipt. Për disa vjet ai do të rrijë larg mbretit të veriut. Ky do ta sulmojë mbretin e jugut, por do të kthehet sërish në vendin e vet. Bijtë e tij do të përgatiten për luftë e do të mbledhin forca të mëdha ushtarake. Njëri prej tyre do të sulet me furi, do të kalojë në anën tjetër si uji i rrëmbyer e do të kthehet për të sulmuar deri te fortesa e tij. Mbreti i jugut do të zemërohet e do të dalë të përleshet me mbretin e veriut. Ky do të ngrejë në këmbë një ushtri të madhe, por ajo do të bjerë në dorë të mbretit të jugut. Kur ta ketë mposhtur këtë turmë të madhe, do të mburret në zemrën e tij, por, ndonëse do të ketë vrarë dhjetëra mijëra ushtarë, nuk do të ngadhënjejë. Mbreti i veriut do të kthehet, do të ngrejë në këmbë një ushtri më të madhe se të parën dhe, në kohën e caktuar, pas disa vitesh, do të hidhet në sulm me një ushtri të madhe e të armatosur rëndë. Në atë kohë shumë do të ngrihen kundër mbretit të jugut dhe bijtë e dhunshëm të popullit tënd do të ngrenë krye për të përmbushur vegimin, por do të bien. Do të vijë, pra, mbreti i veriut, do të ngrejë ledhe kundër qytetit të fortifikuar dhe do ta pushtojë. Forcat ushtarake të jugut nuk do t'i bëjnë dot ballë dhe luftëtarët e zgjedhur nuk do të kenë fuqi për të qëndruar. Pushtuesi do të bëjë ç'të dojë dhe askush nuk do t'i bëjë dot ballë. Do të ngulet në atë vend të bukur dhe do të ketë pushtetin për të shkatërruar. Mandej do të vendosë të vijë me gjithë fuqinë e mbretërisë së tij, do të vendosë kushtet e një marrëveshjeje e do t'i zbatojë. Do t'i japë edhe një nga bijat për grua, me qëllim që t'ia shkatërrojë mbretërinë, por nuk do t'ia dalë. Atëherë do t'i kthejë sytë nga vendet bregdetare e do të pushtojë shumë prej tyre. Por një nga krerët ushtarakë do t'i japë fund poshtërimeve të tij dhe poshtërimi do të bjerë mbi të. Pastaj do të sulmojë fortesat e vendit të vet, por do të mposhtet, do të bjerë e do të zhduket. Në vend të tij do të vijë një tjetër, i cili do të dërgojë një tagrambledhës për lavdinë e mbretërisë, që në pak ditë do të vritet, por jo nga zemërimi apo nga lufta. Pasardhësi i tij do të jetë njeri i neveritshëm. Atij nuk do t'i japin asnjë nderim mbretëror. Në kohë paqeje do të vijë ai e do ta marrë mbretërinë me dredhi. Ushtritë e mëdha do të thyhen para tij e do të bien, sikurse edhe princi i besëlidhjes. Edhe pasi të kenë bërë marrëveshje me të, ai do të veprojë me mashtrim. Do të bëhet i fuqishëm e i pushtetshëm, ndonëse do të sundojë mbi një komb të vogël. Në kohë paqeje, ai do të pushtojë krahina pjellore e do të bëjë çfarë nuk kanë bërë as etërit e as gjyshërit e tij. Do të plaçkitë, do të rrëmbejë e do të ndajë pasuritë me të vetët. Do të sendërgjojë sulme kundër fortesave, por jo për shumë kohë. Me fuqinë e me guximin e zemrës do të nxitë një ushtri të madhe kundër mbretit të jugut. Mbreti i jugut do të bëjë gati një ushtri të madhe e shumë të fortë për t'u ndeshur me të, por nuk do të qëndrojë dot, sepse do të ngrenë kurthe kundër tij. Njerëzit që hanin bukën me të do ta shkatërrojnë. Ushtria e tij do të shpartallohet dhe shumë do të vriten. Në zemrat e tyre, të dy mbretërit thurin të këqija kundër njëri-tjetrit. Do të hanë në të njëjtën tryezë, por do të flasin me dredhi. Veçse, nuk do të fitojnë gjë, se do t'u vijë fundi në kohën e caktuar. Mbreti i veriut do të kthehet në vendin e vet me pasuri të mëdha e do të jetë kundër besëlidhjes së shenjtë me gjithë zemër. Do të veprojë si të dojë e do të kthehet në vendin e vet. Në kohën e caktuar do të kthehet sërish për të sulmuar jugun, por këtë herë nuk do t'i ecë si herën e parë. Kundër tij do të vijnë anijet e Kitimit dhe ai do të kthehet pas nga frika. Zemërimin do ta zbrazë kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të veprojë si të dojë. Kur të kthehet në vendin e vet, do të merret vesh me ata që tradhtuan besëlidhjen e shenjtë. Ushtarët e dërguar prej tij do të përdhosin shenjtëroren dhe fortesën, do të ndalojnë flinë e përhershme dhe do të vendosin aty ndyrësi të neveritshme. Me lajka do t'i joshë ata që tradhtuan besëlidhjen, por populli, që e njeh Perëndinë e vet, do të bëjë qëndresë e do të veprojë. Më të mençurit e popullit do t'u shpjegojnë të tjerëve, por do t'i vrasin me shpatë, do t'i djegin, do t'i degdisin në mërgim e do t'u marrin pasuritë. Kur të bien, pak kush do t'u vijë në ndihmë, sepse shumë do t'u afrohen me shtirje. Disa nga të mençurit do të bien, me qëllim që të përsosen, të pastrohen e të shndrijnë derisa të vijë fundi në kohën e caktuar. Mbreti do të veprojë sipas dëshirës së vet. Do të madhërohet e do ta lartësojë veten përmbi çdo perëndi. Do të flasë gjëra të padëgjuara edhe kundër Perëndisë së perëndive e do t'i shkojë mbarë, derisa të mbushet kupa e zemërimit të Perëndisë, sepse ç'është vendosur, do të bëhet. Nuk do t'i vlerësojë aspak perënditë e etërve të tij e as çfarë u pëlqen grave. Nuk do të nderojë asnjë perëndi, se e mban veten më të lartë se të gjithë. Në vend të tyre, do të adhurojë perëndinë e fortesave, perëndi që etërit e tij nuk e njihnin. Do ta nderojë me ar, me argjend, me gurë të çmuar e me sende të shtrenjta. Me ndihmën e këtij perëndie të huaj do të mësyjë kundër fortesave të ndryshme. Atyre që do ta pranojnë do t'u bëjë ndere të mëdha. Do t'i vërë të sundojnë mbi shumë njerëz e do t'u japë toka si shpërblim. Në kohët e fundit, mbreti i jugut do të mësyjë kundër mbretit të veriut, por ky do ta sulmojë me qerre lufte, me kuaj e me anije të shumta. Do të mësyjë me vërshim nëpër tokat e tij e do të kalojë mes për mes tyre. Do të sulmojë edhe vendin e bukur dhe shumë do të bien. Vetëm këta do të shpëtojnë prej zgjedhës së tij: Edomi, Moabi dhe pjesa më e madhe e Amonit. Ai do të pushtojë shumë vende e nuk do të shpëtojë as toka e Egjiptit. Do të zotërojë thesaret e Egjiptit, arin, argjendin e sendet e tij të çmuara. Do të nënshtrojë edhe Libinë me vendin e Kushit. Por do ta shqetësojnë lajmet nga lindja e nga veriu, prandaj do të vërsulet i tërbuar për të shkatërruar e për të shfarosur shumë njerëz. Do t'i ngrejë tendat e tij mbretërore mes detit e malit të shenjtë e të bukur. Atje do t'i vijë fundi e nuk do ta ndihmojë askush». «Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd. Do të jetë një kohë e tillë mjerimi, e paparë kurrë, që nga koha kur u krijuan kombet e deri në atë kohë. Prej popullit tënd do të shpëtojnë të gjithë ata që janë të shkruar në Libër. Shumë prej atyre që flenë nën baltën e tokës do të zgjohen, disa për jetën e amshuar, disa për turpin dhe tmerrin e amshuar. Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë porsi kupa qiellore. Ata, të cilëve u kanë prirë shumë vetë në drejtësi do të shkëlqejnë si yjet përjetë e në amshim. Ndërsa ti, o Daniel, mbaji të fshehta këto fjalë dhe vulose Librin deri në kohën e fundit. Shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet». Atëherë unë, Danieli, pashë dhe, ja, dy burra të tjerë qëndronin më këmbë, njëri në këtë breg të lumit, ndërsa tjetri në bregun tjetër të lumit. Njëri prej tyre i tha burrit të veshur me petka liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: «Kur do të marrin fund këto ndodhi të mrekullueshme?». Atëherë dëgjova burrin e veshur me petka liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit. Ai kishte ngritur drejt qiellit dorën e djathtë dhe dorën e majtë e u betua për atë që jeton në amshim: «Këto do të përmbushen pas një kohe, pas disa kohërave e pas një gjysmë kohe, kur të ketë marrë fund shtypja e fuqisë së popullit të shenjtë». Unë e dëgjova, por nuk kuptova, prandaj e pyeta: «Imzot, kur do të jetë fundi i këtyre ndodhive?». Ai m'u përgjigj: «Shko, Daniel, se këto janë fjalë të fshehta e të vulosura deri në kohën e fundit. Shumë do të përsosen, do të pastrohen e do të shndrijnë, ndërsa të paudhët do të bëjnë paudhësi e asnjë prej tyre nuk do të kuptojë. Vetëm të mençurit do të kuptojnë. Që nga koha që do të ndalohet flija e përhershme e deri në vendosjen e ndyrësisë së neveritshme, do të kalojnë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë vjet. Lum ai që duron dhe arrin një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë! Ti shko deri në fund. Do të prehesh e do të ngjallesh për të marrë trashëgiminë tënde në mbarim të ditëve». Fjala e Zotit që iu drejtua Hosesë, birit të Beriut, në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës, dhe në ditët e Jeroboamit, birit të Joashit, mbretit të Izraelit. Kur Zoti filloi t'i fliste Hosesë, Zoti i tha: «Shko e merr për grua një lavire e bëj fëmijë me të, sepse vendi po kryen tradhti kundër Zotit ». Ai shkoi e mori për grua Gomerën, bijën e Diblaimit, e cila mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Atëherë Zoti i tha: «Quaje Izrel, se edhe pak e do ta ndëshkoj shtëpinë e Jehut për gjakun që u derdh në Izrel. Do t'i jap fund mbretërisë së Izraelit. Atë ditë do ta thyej harkun e Izraelit në luginën e Izrelit». Ajo mbeti shtatzënë sërish e lindi një vajzë. Atëherë Perëndia i tha: «Quaje Loruhama, se nuk do të kem më mëshirë për shtëpinë e Izraelit e nuk do ta fal. Por, do të kem mëshirë për shtëpinë e Judës. Do t'i shpëtoj falë Zotit, Perëndisë së tyre, dhe jo në saje të harkut, shpatës, luftës, kuajve e kalorësve». Pasi e ndau nga gjiri Loruhamën, Gomera mbeti shtatzënë e lindi një djalë. Atëherë Perëndia i tha: «Quaje Loam, se ju nuk jeni populli im e unë nuk jam i juaji». «Por, numri i bijve të Izraelit do të bëhet si rëra e detit që nuk matet e as numërohet. Dhe në vendin ku u qe thënë: “Nuk jeni populli im!”, do t'u thuhet: “Bij të Perëndisë së gjallë!”. Do të bashkohen bijtë e Judës me bijtë e Izraelit, një prijës të vetëm do të vënë në krye e do të blerojnë mbi dhe, se e madhërishme do të jetë dita e Izrelit. Thuajuni vëllezërve: “Populli im!” e motrave: “E mëshiruara!”. Paditeni nënën tuaj, paditeni se nuk është më gruaja ime e unë nuk jam më burri i saj. Të heqë prej fytyrës shenjat e lavires e tradhtinë prej gjinjve të saj, përndryshe do ta zhvesh lakuriq, do ta nxjerr në pah si ditën kur lindi, do ta bëj si shkretëtirën, porsi tokën e thatë, do ta bëj të vdesë nga etja! Për bijtë e saj s'do të kem mëshirë, se pjellë laviresh janë. Nëna e tyre u kurvërua, e pacipë është ajo që i ngjizi, se tha: “Do të shkoj pas dashnorëve të mi që më japin bukë e ujë, lesh e li, vaj e pije”. Ndaj, ja, shtegun do t'ia zë me ferra, një ledh do t'i ngre përreth, që udhën të mos e gjejë. Do të rendë pas dashnorëve, por nuk do t'i kapë dot. Do t'i kërkojë, por nuk do t'i gjejë e pastaj do të thotë: “Po kthehem te burri im i parë, se më e lumtur isha me të”. Ajo nuk e di se isha unë, ai që i dha drithë, musht e vaj. Unë ia shumova argjendin e arin, me të cilët bënë Baalë. Ndaj, do ta marr mbrapsht drithin tim në kohën e të korrave, edhe verën time në stinën e saj. Do t'ia rrëmbej leshin e linë time, me të cilën mbulon lakuriqësinë e vet. Ja, tani do t'ia zbuloj paturpësinë para syve të dashnorëve të saj. Askush s'do ta shpëtojë dot prej dorës sime! Do t'u jap fund tërë ngazëllimeve që ka: festës, të shtunës, hënës së re e çdo të kremteje që mban. Do t'ia shkatërroj hardhinë e fikun, për të cilat thoshte: “Kjo është paga ime që dashnorët më dhanë”. Shkurre ato do t'i bëj, egërsirat do t'i gllabërojnë. Do ta ndëshkoj për ditët kushtuar Baalëve, gjatë të cilave u digjte temjan, zbukurohej me unaza e stoli, ndiqte pas dashnorët e saj e mua më harronte, kumton Zoti. Por, ja, unë do ta ngashënjej, do ta çoj në shkretëtirë e do t'i flas ëmbël. Prej andej vreshtat do t'ia jap e luginën e Akorit si portë shprese. Prej andej ajo do të më përgjigjet si në ditët e rinisë, si në ditët kur doli prej tokës së Egjiptit. Atë ditë, kumton Zoti, do të më thuash: “Burri im!” dhe jo më: “Baali im!”. Do t'i fshij emrat e Baalëve prej buzëve të tua, emrat e tyre nuk do t'i kujtosh më. Atë ditë për ta do të lidh një besëlidhje me kafshët e fushës, me fluturakët e qiellit e me zvarranikët e dheut. Harkun, shpatën e luftën do ta zhbij nga toka, që të qetë të banojnë. Do të të bëj gruan time përherë, do të të marr për grua me drejtësi e të drejtë, me mirësi e dhembshuri. Do të të marr për grua me besnikëri e Zotin do ta njohësh. Atë ditë do të përgjigjem, kumton Zoti. Do t'i përgjigjem qiellit, e qielli tokës, toka drithit, mushtit e vajit, e ata do t'i përgjigjen Izrelit. Do ta mbjell për vete në tokë. Do të kem mëshirë për Loruhamën, do t'i them Loamit: “Je populli im” e ai do të thotë: “Perëndia im!”». Zoti më tha përsëri: «Duaj një grua kurorëshkelëse, një grua që e do një tjetër. Duaje siç i deshi Zoti bijtë e Izraelit, ndonëse ndjekin Perëndi të tjerë e duan kuleçtë e rrushit. Kështu, e bleva gruan për pesëmbëdhjetë monedha argjendi dhe njëqind e pesëdhjetë kilogramë elb. I thashë: “Rri me mua për një kohë të gjatë e mos kryej kurvëri. Mos shko me të tjerë e unë do të jem me ty”. Se, ja, bijtë e Izraelit do të jenë për një kohë të gjatë pa mbret e pa princ, pa fli e pa përmendore, pa efod e pa idhuj. Pastaj bijtë e Izraelit do të kthehen e do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre, dhe Davidin, mbretin e tyre. E në ditët që do të pasojnë do të mahniten me Zotin e me mirësinë e tij». «Dëgjojeni fjalën e Zotit, o bijtë e Izraelit, Zoti po ngre padi kundër banorëve të tokës, se nuk ka në tokë as besnikëri, as mirësi e as njohuri për Perëndinë. Mallkimet, mashtrimet, vrasjet, vjedhjet e kurorëshkeljet kanë marrë dhenë, gjaku e gjakderdhjet nuk kanë të sosur. Ndaj toka vajton e tërë banorët e saj mpaken, kafshët e fushës, shpendët e qiellit madje edhe peshqit e detit marrin fund. Por, askush të mos ngrejë padi, askush të mos bëj kallëzim, se padia ime është kundër teje, o prift. Gjatë ditës do të pengohesh, gjatë natës edhe profeti bashkë me ty. Nënën tënde do ta zhbij! Populli im u zhbi prej padijes, se ti e përbuze njohurinë, ndaj dhe unë priftërinë do të ta përbuz. E harrove ligjin e Perëndisë tënd, ndaj dhe unë do t'i harroj bijtë e tu. Sa më shumë shtohen, aq më tepër mëkatojnë kundër meje. Nderin do t'ua kthej në turp. Ushqehen me mëkatin e popullit tim, lakmojnë fajin e tij. Ndaj, edhe priftin si popullin do ta ndëshkoj për udhën që ndoqi, veprat do t'ia shpërblej mirë. Do të hanë, por s'do të ngihen, do të kurvërohen, por s'do të shtohen, se e harruan Zotin e iu dhanë kurvërisë. Vera e mushti ia morën mendtë popullit tim. Këshillohet me një copë dru e dëgjon një shkop, se kurvëria e mashtroi, ndaj Perëndinë e vet tradhton. Nëpër maja malesh bëjnë flijime, djegin temjan nëpër kodra, nën dushqe e plepa, nën hijen e këndshme të lisave. Kështu të kurvërohen bijat, shkelin kurorën nuset e tua. Por, bijat nuk do të t'i ndëshkoj për kurvëri, as nuset e tua për kurorëshkelje, sepse ata vetë shkojnë me lavire, me laviret e kultit kushtojnë fli. E populli i pamend rrënohet. O Izrael, nëse kryen kurvëri, mos e bëj edhe Judën me faj! Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Bet Aven, as mos u betoni për Zotin e gjallë! Izraeli u bë kokëfortë, porsi lopa kryeneçe, ndaj Zoti do t'i kullotë si dhentë nëpër livadhe. Lëreni Efraimin, se u lidh pas idhujve! Pijet i shteroi, u harbua e kurvëroi, prijësit e tij të shfrenuar u dashuruan pas turpit. Furtuna do t'i rrëmbejë në krahët e veta, do të turpërohen për flijimet që kryen». «Dëgjojeni këtë, o priftërinj, kushtojini vëmendje, o shtëpia e Izraelit, mbani vesh, o familja mbretërore, se juve ju përket gjykimi. U bëtë lak për Micpahun, rrjetë e hedhur mbi Taborin, hon i thellë në Shitim, por unë do t'i qortoj ata të gjithë. Unë e njoh Efraimin, Izraeli nuk më fshihet dot. Tashmë Efraimi u kurvërua, Izraeli u përdhos. Veprat e tyre nuk do t'i lejojnë të kthehen te Perëndia i tyre, se mes tyre është kurvëria e Zotin nuk e njohin. Krenaria jote, o Izrael, dëshmon kundër teje, Izraeli dhe Efraimi pengohen për fajet e veta, edhe Juda u pengua bashkë me ta. Me dhen e qe shkojnë për të kërkuar Zotin, por nuk do ta gjejnë, se prej tyre ai u tërhoq. Me Zotin u sollën të pabesë, se lindën fëmijë kopilë. Ndaj brenda muajit do të përpihen bashkë me pronat e tyre. Bjerini bririt në Gibeah, trumbetës në Ramah, lëshoni kushtrimin në Bet Aven: “Pas teje, o Benjamin!”. Në ditën e ndëshkimit, Efraimi do të shkretohet. Mes fiseve të Izraelit, shpalla çfarë është e sigurt. Princat e Judës u bënë si ata që lëvizin kufijtë. Porsi ujërat do ta derdh zemërimin tim mbi ta! Efraimi u shtyp, u dërrmua me të drejtë, se deshi të ndiqte fëlligështinë. Do të jem si mola për Efraimin, si kalbësira për shtëpinë e Judës. E pa Efraimi lëngatën e vet e Juda plagën e vet. Shkoi Efraimi në Asiri, kërkoi ndihmë nga mbreti i madh, por, ai nuk të shëron dot, as plagën nuk ta mjekon dot. Se unë do të jem si luani kundër Efraimit, si këlyshi i luanit kundër shtëpisë së Judës. Unë, unë do t'i shqyej e pastaj do të largohem, do t'i rrëmbej e shpëtim s'do të ketë. Do të kthehem në banesën time, derisa të më kërkojnë me keqardhje e në mjerimin e tyre me ngulm të më kërkojnë». «Ejani të kthehemi te Zoti, se ai na copëtoi, por edhe do të na shërojë, na goditi, por edhe do të na mjekojë. Pas dy ditëve do të na ngjallë, ditën e tretë do të na ngrejë, që para tij të jetojmë. Ta njohim e ta gjurmojmë Zotin, se ardhja e tij është e sigurt porsi agimi. Do të vijë te ne porsi shiu, porsi rrebeshi që tokën ujit. Ç'të të bëj, o Efraim? Ç'të të bëj, o Judë? Besnikëria juaj si re mëngjesi, porsi vesa që herët kalon. Ndaj i copëtova me anë të profetëve, i vrava me fjalët e gojës sime e gjyqi im si drita agon. Dëshiroj mëshirën e jo flijimin, dijen e Perëndisë më shumë se flinë e shkrumbimit. Si Adami e shkelën besëlidhjen, të pabesë u treguan atje. Gileadi është qytet keqbërës, i njollosur me gjak. Mblidhen bashkë priftërinjtë, si kusarët që presin në pritë, vrasin rrugës për në Shekem e kryejnë prapësi. Një gjë të tmerrshme pashë në shtëpinë e Izraelit, atje kurvërohet Efraimi e përdhoset Izraeli. Edhe për ty, o Judë, koha e korrjes është caktuar. Sa herë e përtërij popullin tim». «Sa herë Izraelin e shëroj, shfaqen fajet e Efraimit e paudhësitë e Samarisë. Ata mashtrojnë, vjedhësit hyjnë brenda, kusarët sulen rrugëve. Por, nuk u bie ndër mend, se gjithë paudhësitë e tyre unë i kujtoj. Ja, veprat e veta i rrethojnë, para fytyrës sime ato qëndrojnë. Me prapësitë e tyre e gëzojnë mbretin, me rrena, princat e tyre. Të gjithë janë kurorëshkelës, janë porsi një furrë e nxehur fort, zjarrin e të cilës bukëpjekësi nuk e shpurrit derisa t'i vijë brumi që zë. Në ditën e kurorëzimit sëmuren princat të tërbuar me verë e mbreti bashkë me tallësit tregon me gisht. Zemrat e tyre mashtruese flakërojnë porsi furra, gjatë natës bukëpjekësi i tyre fle, por flakët e zjarrit ndizen që herët në mëngjes. Të gjithë janë ndezur porsi furra e gjyqtarët e tyre i përpijnë. Tërë mbretërit e tyre bien, por askush prej tyre nuk më thërret për ndihmë. Efraimi përzihet me popujt e tjerë, ai është si kulaçi gjysmë i pjekur. Të huajt ia përpinë fuqinë, por ai nuk e kupton. Thinjat i kanë dalë në kokë, por ai nuk e kupton. Krenaria e Izraelit dëshmon kundër tij, por nuk kthehet te Zoti, Perëndia i vet, e prapë nuk e kërkon Perëndinë. Efraimi u bë si pëllumbi, mendjelehtë e dritëshkurtër, thërret Egjiptin e shkon në Asiri. Rrjetën do t'u hedh kur të nisen, do t'i rrëzoj poshtë porsi shpendët e qiellit, do t'i ndëshkoj sa herë kuvendojnë. Mjerë ata, se ikën prej meje, rrënimi i pret, se kundër meje u ngritën. Unë do t'i shpëtoja, por rrena flasin për mua. Nuk më thërrasin me gjithë zemër, se kur vajtojnë në shtrojat e tyre e përgjaken për drithin e verën, kundër meje ata ngrihen. Unë i mësova, krahun ua forcova, por kundër meje ata ligësi shestojnë. Kthehen, por jo ku duhet, u bënë si harku i thyer. Krerët do të bien nga shpata, prej gjuhës së tyre të pacipë. Për këtë do të përqeshen në tokën e Egjiptit». «Bjeri borisë! Si shqiponja vërtitet mbi shtëpinë e Zotit, se e thyen besëlidhjen time, e shkelën ligjin tim. Izraeli më thërret: “Perëndia im, ne të njohim!”. Por, Izraeli e përbuzi të mirën, armiku do ta ndjekë pas. Kurorëzuan mbretër që nuk vinin prej meje. Caktuan prijës që unë nuk i njihja. Bënë idhuj me arin e argjendin e tyre për shfarosjen e vet. I pështirë është viçi yt, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. E pafajshme a do të jesh ndonjëherë? Një mjeshtër prej Izraelit e bëri, ai nuk është Perëndi. Copë e çikë do të bëhet viçi i Samarisë. Mbjellin erë e korrin stuhi. Gruri i tyre kallinj nuk lidh e miell nuk prodhon. E në prodhoftë, të huajt do ta përlajnë. Izraeli u përpi, u bë ndër kombe një enë pa vlerë. U ngjitën në Asiri porsi gomari që i vetëm endet. Ujdi bën Efraimi me dashnorët e vet. Ndonëse bëjnë ujdi me kombet, unë tani do t'i mbledh tok. Do të treten pak nga pak, nën peshën e mbretit të princave. Sa herë Efraimi shton altarët për mëkatet, ato i kthehen në altarë të mëkatshme. Për të i shkrova ligjet e mia të shumta, por të huaja i duken ato. Më kushtojnë flijime e mishin e tyre hanë, por Zotit nuk i pëlqejnë. Do t'i kujtojë ai fajet e tyre, mëkatet e tyre do t'i ndëshkojë e në Egjipt ata do të kthehen. E harroi Izraeli krijuesin e vet, pallate mbretërore ai ndërtoi e Juda qytetet e fortifikuara i shtoi. Zjarr do të dërgoj në qytetet e tij, fortesat e tij do t'i përpijë». «Mos u gëzo, o Izrael, mos galdo si popujt e tjerë, se kurvërove kundër Perëndisë tënd, deshe pagën e lavires në çdo lëmë drithi. Lëmi e torku s'do të të ushqejë, mushti do të të zhgënjejë. S'do të banojnë në tokën e Zotit, Efraimi do të kthehet në Egjipt, ushqime të papastra do të hanë në Asiri. Fli stërpikjeje s'do t'i kushtojnë më Zotit, flijimet atij nuk do t'i pëlqejnë. Si buka e hidhur do të jetë flija për ta, i papastër do të jetë kushdo që e ha. Buka do t'u duhet për të shuar urinë, në shtëpinë e Zotit ajo s'do të mbërrijë. Çfarë do të bëni në ditën e kremte, në ditën e festës së Zotit? E në ikshin prej shkatërrimit, Egjipti do t'i presë, Memfisi në dhe do t'i shtjerë. Argjendin e çmuar, hithrat do t'ua trashëgojnë, tendat, ferrat do t'ua mbulojnë. Le ta dijë Izraeli se erdhën ditët e ndëshkimit, erdhën ditët e shpagimit. Profeti është i marrë, i frymëzuari i pamend, për shkak të fajeve të mëdha e armiqësive të shumta. Rojë për Efraimin është profeti krah Perëndisë tim, kurth gjahu ai u bë për udhët e tij, mëri ka në shtëpinë e Perëndisë së tij. U shthurën keq si në ditët e Gibeahut, por ai do t'i kujtojë fajet e tyre, mëkatet e tyre do t'i ndëshkojë. Porsi rrushin në shkretëtirë e gjeta Izraelin. Porsi fiqtë e parë të stinës i pashë etërit e tu. Por, ata shkuan në Baalpeor e u dhanë pas turpit. U bënë të urryer, siç ishin ato që dëshironin. Si shpendi që fluturon tej do t'i ikë Efraimit lavdia. Do të mbetet pa lindje, shtatzëni e ngjizje. E në i rritshin fëmijët e tyre, do t'i lë pa fëmijë, pa njeri. Mjerë ata kur unë prej tyre të largohem. Efraim, kur të pashë ishe si palma e mbjellë livadhit, por bijtë e vet Efraimi do t'i çojë në thertore. Jepu, o Zot, çfarë ke për t'u dhënë! Jepu barkun dështak e gjinjtë e shteruar. Tërë paudhësitë e tyre nisën në Gilgal, atje fillova t'i urreja. Për faj të veprave të tyre të liga, do t'i zboj nga shtëpia ime. Më nuk do t'i dua, kryeneçë janë gjithë prijësit e tyre. Efraimi u godit, rrënjët iu thanë krejt, fryt nuk do të japë më. E në lindshin, do t'ua vras fëmijët e dashur. Perëndia im i mohoi, se atë nuk e dëgjuan, ndaj do të enden nëpër kombe». «Hardhi e begatshme është Izraeli, jep fryt me mbushulli, por sa më shumë jep fryt, aq më shumë i shton altarët, sa më i begatshëm bëhet vendi, aq më tepër i stolisin përmendoret e shenjta. Kanë zemër mashtruese, ndaj janë fajtorë. Ai do t'i thërrmojë altarët e tyre, përmendoret e tyre të shenjta do t'i rrënojë. E pastaj ata do të thonë: “S'kemi mbret, se Zotin nuk e druajtëm. Po edhe mbreti ç'do të bënte për ne?”. Flasin vetëm fjalë, zotohen më kot e lidhin besëlidhje, ndaj gjykimet lindin si bimët helmuese në hulli të arës. Për kaun e Bet Avenit frikësohen banorët e Samarisë. Vajton populli për të, priftërinjtë dridhen për të, për lavdinë e tij, se në mërgim shkoi. Vetë do ta çojnë atë në Asiri, si tagër për mbretin e madh. Efraimin do ta kapë turpi, Izraeli do të turpërohet për shestimet e veta. Mbreti i Samarisë do të tretet, porsi shkuma mbi ujë. Do të rrafshohen faltoret e Avenit, ato janë mëkatet e Izraelit. Altarët e tyre do t'i mbulojë ferra e murrizi. Maleve do t'u thonë: “Na mbuloni!”, kodrave: “Bini mbi ne!”. Që nga dita e Gibeahut mëkatove, o Izrael. Atje mbetën, në Gibeah, atje keqbërësit lufta do t'i kaplojë. Kam vendosur t'i ndëshkoj. Popujt do të mblidhen kundër tyre, kur të mbrehen për fajin e tyre të dyfishtë. Efraimit, si kaut të mësuar, i pëlqen lëmin të shijë, zgjedhën ia hodha mbi qafën e tij të bukur. Efraimin do ta mbreh, Juda do të lëvrojë, Jakobi vetë do të trinojë. Mbillni drejtësinë, korrni frytin e mirësisë, hapni tokë të re. Është koha për të kërkuar Zotin derisa të vijë e shiun e drejtësisë të zbrazë mbi ju. Lëvruat paudhësinë, korrët padrejtësinë, frytin e gënjeshtrës hëngrët, se i zure besë udhëve të tua, trimave të tu të shumtë. Do të buçasë lufta kundër popullit tënd, fortesat e tua do të rrënohen, siç e shkretoi Shalmani Bet Arbelin, kur nënat copëtoheshin mbi bijtë e tyre. Kështu do të ndodhë edhe me ty, o Betel, për shkak të paudhësive që kreve. Në të gdhirë mbreti i Izraelit do të marrë fund». «Kur Izraeli ishte djalë, unë e desha, nga Egjipti e thirra birin tim. Por, sa më shumë i thërrisja aq më shumë iknin tej. Baalëve u flijonin, idhujve u digjnin kem. Unë e mësova Efraimin të ecte, për dore e mbaja unë, por kujdesin tim s'e njohën. I tërhiqja me litarë mirësie, me hallka dashurie, për ta u bëra si ai që zgjedhën heq e ulet për t'i ushqyer. Në tokën e Egjiptit s'do të kthehen, por Asiri do të bëhet mbreti i tyre, se s'deshën të ktheheshin tek unë. Shpata do të vërvitet kundër qyteteve, shulat do t'i shkatërrojë e do t'i përpijë, për faj të shestimeve të tyre. Populli im priret drejt bjerrjes, thërrasin lart, por askush nuk do t'i lartësojë. Si të hiqkam dorë prej teje, o Efraim? Si të të dorëzuakam, o Izrael? Si të të trajtuakam si Admën? Si të të bëkam si Ceboimin? Zemra më përdëllehet, dhembshuria më ndizet flakë. Nuk do ta shfryj zemërimin tim, Efraimin s'do ta shkatërroj sërish, se Perëndi jam unë e jo njeri, i Shenjti në mesin tuaj. I zemëruar nuk do të vij. Porsi luani do të ulërijë Zoti e ata do ta ndjekin pas. E kur të ulërijë, do të flatrojnë bijtë nga perëndimi. Si trumcaku do të flatrojnë nga Egjipti, porsi pëllumbi nga toka e Asirisë e në shtëpitë e tyre do t'i kthej, kumton Zoti ». «Efraimi më rrethon me rrena, me mashtrime, shtëpia e Izraelit, por Juda endet me Perëndinë, me të Shenjtin është besnik ». «Efraimi kullot erën, ndjek tufanin, tërë ditën shumon mashtrimin e dhunën. Bën marrëveshje me Asirinë, vajin në Egjipt e çon. E padit Zoti Judën, Jakobin e ndëshkon për udhët e tij e veprat do t'ia shpërblejë. Që në bark e kapi të vëllanë prej thembre, me Perëndinë u ndesh kur u bë burrë. U rrok me engjëllin e fitoi, vajtoi e mëshirë kërkoi. Në Betel Perëndia e gjeti e me të atje foli. Zot, Perëndia i ushtrive, Zot është emri i tij. Kthehu, pra, te Perëndia yt, mbaje mirësinë e drejtësinë e prit gjithmonë për Perëndinë tënd. Tregtar me peshore që rren në dorë, mashtrimin dëshiron. Por Efraimi thotë: “U bëra pasanik, pasuri gjeta për vete. E në asnjë prej punëve të mia, s'do të gjendet faj a mëkat”. Por unë, Zoti, jam Perëndia yt, që në tokën e Egjiptit. Do të të vendos sërish në tendë, si në ditët e të kremtes. Unë u fola profetëve, vegimet i shumova unë. Me shëmbëlltyra fola përmes tyre. Sa për Gileadin, ai është fajtor, ata janë krejt të pavlerë. Në Gilgal flijojnë qe, altarët e tyre janë si pirgje gurësh nëpër hullitë e arës. Ia mbathi Jakobi për në tokën e Aramit, Izraeli u bë shërbëtor për një grua, për një grua u bë bari. Me anë të një profeti Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, me anë të një profeti edhe e ruajti. Efraimi nxori vrer, ndaj gjakun e derdhur Zoti i tij do t'ia kërkojë e poshtërsinë do t'ia shpërblejë». «Kur Efraimi merrte fjalën, të kallte datën, përlëvdohej ai në Izrael, por për Baalin u bë fajtor e vdiq. Edhe tani vazhdojnë të mëkatojnë, bëjnë për vete idhuj të metaltë, idhuj të argjendtë e të punuar, vepra mjeshtërish janë ato. Për ta thuhet: “Janë njerëz që flijojnë e viçat adhurojnë”. Ndaj do të jenë si mjegulla e mëngjesit, porsi vesa që zhduket herët, porsi byku i lëmit që era largon, porsi tymi që nga tymtari del. Unë, Zoti, jam Perëndia yt që në tokën e Egjiptit Perëndi tjetër nuk njeh pos meje, as shpëtimtar tjetër nuk ka. Unë të njoha në shkretëtirë, në vendin e thatë. I kullota e u nginë, si u nginë, ngritën krye, ndaj dhe më harruan. Si luani do të bëhem për ta, si leopardi do të rri në pritë. Do t'u turrem si arusha, që të vegjlit ia kanë rrëmbyer. Do t'ua shqyej zgavrat e kraharorit, do t'i përpij porsi luani, si egërsira që i bën copë e çikë. U shkatërrove, o Izrael, se ishe kundër meje, kundër atij që të ndihmon. Ku është mbreti yt tani që tërë qytetet të t'i shpëtojë? Ku janë gjyqtarët e tu, për të cilët the: “Më jep mbret e princa!”? I mëritur, ta dhashë mbretin, i zemëruar, ta mora mbrapsht. U shënua faji i Efraimit, u ruajt mëkati i tij. Është si një foshnjë e marrë që në dhimbjet e lindjes nuk del në kohë nga barku i nënës. A t'i shpaguaj nga dora e skëterrës? Nga vdekja a t'i shpengoj? Ku është, o vdekje, murtaja jote? Ku është, o skëterrë, shkatërrimi yt? Mëshira m'u fsheh prej syve! E në begatoftë mes vëllezërve, do të vijë një erë përvëluese, erë e Zotit prej shkretëtirës, që burimet t'ia thajë, krojet t'ia shterojë, tërë thesaret e çmuara t'ia plaçkisë». «Samaria është fajtore, se ngriti krye kundër Perëndisë së vet, ndaj prej shpatës do të bien, të vegjlit do t'u theren, shtatzënave barku do t'u çahet. Kthehu, o Izrael, te Zoti, Perëndia yt, se për fajin tënd u pengove. Kthehu te Zoti, bashkë me fjalët e tua. Thuaji atij: “Fale tërë fajin, të mirën pranoje e ne do të kushtojmë frytin e buzëve tona. Asiria nuk do të na shpëtojë, kuajve nuk do t'u grahim. Nuk do t'i quajmë perëndi veprat e duarve tona, se në ty bonjaku gjen mëshirë”. Do ta shëroj pabesnikërinë e tyre, do t'i dua me gjithë zemër, se zemërimi kundër tyre m'u fashit. Vesë do të jem për Izraelin, si zambaku ai do të lulëzojë, rrënjët thellë do t'i hedhë porsi pemët e Libanit. Filiza do të nxjerrë, lavdia e tij do të jetë si ajo e ullirit e do të kundërmojë si Libani. Nën hijen time do të kthehen e do të banojnë, do të rriten me drithë, porsi vreshti do të begatojnë, do të kujtohet emri i tij porsi vera e Libanit. Efraim, ç'më lidh me idhujt? Unë të përgjigjem e të vrojtoj, unë jam porsi bredhi, gjithmonë i blertë, prej meje rrjedh fryti yt. Kush është i urtë këto të kuptojë, i dituri t'i mëtojë, se udhët e Zotit janë të drejta, të drejtë janë ata që ecin në to, por ligjshkelësit në to pengohen». Fjala e Zotit drejtuar Joelit, birit të Petuelit. «Dëgjojeni këtë, o pleq, vërini vesh, o banorë të mbarë tokës. A ka ndodhur diçka e tillë në kohën tuaj a në kohën e etërve tuaj? Tregojuani bijve tuaj, bijtë tuaj fëmijëve të tyre e ata breznisë së ardhshme. Çfarë la vemja, e hëngri karkaleci. Çfarë la karkaleci, e hëngri krimbi. Çfarë la krimbi, e hëngri bulkthi. Zgjohuni, o të dehur, e vajtoni, vini kujën, ju pijanecët e verës, se ju hoq mushti prej gojës. Një komb e pushtoi vendin tim, i fuqishëm e i panumërt është ai, me dhëmbë luani, e dhëmballë luaneshe. Vreshtin ma shkretoi, fiqtë m'i cungoi, i zhveshi krejt, i flakëroi, degët u zbardhën. Lebetit porsi vasha e veshur me grathore që dhëndrin e saj vajton. U zhduk prej shtëpisë së Zotit kushti i drithit e i stërpikjes, ndaj vajtojnë priftërinjtë, shërbëtorët e Zotit. Arat u rrënuan e toka vajton, se drithi mbaroi, vera shteroi, vaji mungon. Turp për ju, o bujq, klithni, o vreshtarë, për grurin dhe elbin, se morën fund prodhimet e fushës. Hardhia u fishk, fiku u vyshk. Shega, palma edhe molla, tërë pemët e fushës, u thanë, ndaj iu shua gëzimi njerëzisë. Vishuni me grathore e vajtoni, o priftërinj, klithni, o shërbëtorë të altarit. Shkoni e kaloni natën veshur me grathore, o shërbëtorë të Perëndisë tim, se mungon në shtëpinë e Perëndisë tuaj kushti i drithit e i stërpikjes. Shpallni agjërim, thërrisni kuvend, mblidhini pleqtë e mbarë banorët e tokës, në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj, e klithini Zotit. Vaj për atë ditë, ditën e Zotit që afron, se si mynxyrë prej të Pushteshmit vjen. A s'u zhduk ushqimi prej syve tanë, gazi e hareja prej shtëpisë së Perëndisë tonë? Fara e mbjellë u kalb. Drithnikët u rrënuan, tëmotjet u shkretuan, se gruri mori fund. Sa lëngojnë kafshët! Sorollaten kopetë e gjedhit, se kullota nuk ka. Edhe kopetë e dhenve vuajnë njësoj. O Zot, ty të thërras, se zjarri përpiu kullotat e stepës, flaka shkrumboi pemët e fushës. Edhe egërsirat gulçojnë për ty, se u thanë currilat e ujit, zjarri përpiu kullotat e stepës». «Bjerini trumbetës në Sion, lëshoni kushtrim në malin tim të shenjtë. Të dridhen mbarë banorët e vendit, se erdhi dita e Zotit, afër është ajo. Ditë e errët dhe e zezë, ditë e vrenjtur e plot terr, përmbi male seç sterron. Ja, një popull i shumtë e i fortë që kurrë s'është parë në kohët e lashta e as do të shihet brez pas brezi. Zjarr përpirës i paraprin, flakë shkrumbuese i shkon pas, si kopshti i Edenit toka para tij, por humbëtirë të shkretë lë pas. Askush nuk i shpëton dot. Duken si kuaj, vërsulen si kalorës. Kapërcejnë kreshta malesh me ushtimë karrocash ushtrie, me kërcitje flakësh zjarri kur përpin kashtën e thatë, si një popull i fuqishëm që në luftë rreshtohet rresht. Para tij popujt dridhen, gjithë fytyrat zverdhen krejt. Porsi trima ata sulen, si luftëtarë hidhen mbi mure. Secili mban rreshtin e vet e nuk ngatërron rrugë. Njëri-tjetrin nuk e shtyjnë, çdo burrë merr shtegun e vet e s'ka armë që i zmbraps. Vërshojnë qytetit, turren mureve, shtëpitë zaptojnë, si kusarë nga dritaret hyjnë. Para tij trandet toka, qiejt luajnë vendit. Dielli e hëna nxihen krejt, yjet humbasin shkëlqimin e tyre. Zoti e lëshoi kushtrimin në krye të ushtrisë së tij. Gjerë e gjatë shtrihet fushimi, sa i fuqishëm ai që zbaton fjalën e tij. E madhërishme dita e Zotit, e tmerrshme shumë është ajo. Ballë kush mund t'i bëjë? Ndaj, tani, kumton Zoti: kthehuni tek unë me gjithë zemër, me agjërime, vaj e zi. Shqyeni zemrat e jo rrobat, kthehuni te Zoti, Perëndia juaj. I mëshirshëm e i dhembshur është ai, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, i vjen keq për fatkeqësitë. Kush e di? Ndoshta ndërron mendje, i vjen keq e lë pas ndonjë bekim, fli drithi e stërpikjeje, për Zotin, Perëndinë tuaj. Bjerini trumbetës në Sion, shpallni agjërim, thërrisni kuvend, mblidhni popullin, shenjtëroni bashkësinë, mblidhni pleq e fëmijë, foshnjat që thithin gji. Daltë dhëndri prej dhomës, edhe nusja prej odës së nusërisë. Mes portikut dhe altarit, të vajtojnë priftërinjtë, shërbëtorët e Zotit: “Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd! Pronën tënde mos e lër të turpërohet, që kombet mos të tallen me të. Pse mes tyre të thuhet: ku është Perëndia i tyre?”. Xheloz u bë Zoti për tokën e vet, iu dhimbs populli i vet, ndaj iu përgjigj e i tha: “Ja, po ju çoj drithë, verë e vaj, që të hani e të ngiheni. Mes kombeve s'do t'ju lë të turpëroheni”. Do ta heq prej jush veriorin, do ta zboj në djerrinë të shkretë. Pararojën do t'ia hedh në detin e lindjes, praparojën në detin e perëndimit. Do të qelbet e do të kutërbojë. Vepra të madhërishme ai bëri. Mos ki frikë, o tokë, gëzohu e festo, se Zoti vepra të madhërishme bëri. Mos kini frikë, o kafshët e fushës, se kullotat bleruan, pemët dhanë frut, fiku dhe hardhia begatuan. Gëzohuni e festoni në Zotin, Perëndinë tuaj, o bijtë e Sionit. Ai ju shpërbleu me shirat e hershëm, ju dërgoi shiun e vjeshtës dhe të pranverës, si dikur. Lëmenjtë do të jenë plot me grurë, lugjet do të gufojnë me verë e vaj. Do t'ju shpaguaj vitet që përlau karkaleci, krimbi, bulkthi dhe vemja, ushtria ime e madhe, që çova kundër jush. Do të hani e do të ngopeni, emrin e Zotit, Perëndisë tuaj, do të lavdëroni, se mrekulli bëri ai për ju. Populli im s'do të turpërohet më kurrë. Do ta dini se unë jam mes Izraelit, unë, Zoti, Perëndia juaj, askush tjetër. Populli im s'do të turpërohet më kurrë». «Pas këtyre, do të dikoj Shpirtin tim mbi çdo njeri, bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë do të shohin ëndrra, të rinjtë do të shohin vegime. Edhe mbi shërbëtorët e shërbëtoret, do ta dikoj shpirtin tim në ato ditë. Do të bëj çudira në qiell e në tokë, gjak, zjarr e shtëllunga tymi. Dielli do të kthehet në terr, hëna në gjak, para se të vijë dita e Zotit, e madhërishme dhe e tmerrshme. Atëherë, kushdo që thërret emrin e Zotit do të shpëtojë. Në malin Sion, në Jerusalem, do të ketë të shpëtuar, siç tha edhe Zoti. Mes të mbijetuarve, të cilët Zoti i thërret». Fjalët e Amosit që ishte një blegtor nga Tekoaja; vegimi që pati për Izraelin në ditët e Uziahut, mbretit të Judës, në ditët e Jeroboamit, mbretit të Izraelit, dy vjet para tërmetit. Ai tha: « Zoti prej Sionit ulërin, nga Jerusalemi jep kushtrimin. Vajtojnë kullotat e bjeshkëve, kreshtat e Karmelit fishken. Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e Damaskut, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. E shinë Gileadin me shufra hekuri. Zjarr do të dërgoj kundër shtëpisë së Hazaelit, që fortesat e Ben Hadadit t'i përpijë. Do t'i thyej shulat e Damaskut, do t'i zhbij banorët e luginës së Avenit, edhe mbajtësin e skeptrit të Bet Edenit. Në Kir do të shpërngulet populli i Aramit, thotë Zoti ”. Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e Gazës, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. E shpërnguli popullin krejt, e degdisi në Edom. Zjarr do të dërgoj kundër mureve të Gazës, që fortesat t'ia përpijë. Do t'i zhbij banorët prej Ashdodit, edhe mbajtësin e skeptrit të Ashkelonit. Do ta kthej dorën kundër Ekronit, teprica e Filistesë do të marrë fund, thotë Zoti, Zoti im”. Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e Tirit, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. Ia dorëzuan Edomit popullin krejt, besën e dhënë mes vëllezërve nuk e kujtuan. Zjarr do të dërgoj kundër mureve të Tirit, që fortesat t'ia përpijë”. Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e Edomit, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. Të vëllanë e ndoqi me shpatë, mëshirën e hodhi tej, shqyen gjithmonë me furi, zemërimin e mban përherë. Zjarr do të dërgoj kundër Temanit, që fortesat e Bocrahut të përpijë”. Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e bijve të Amonit, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. Barkun e grave shtatzëna çanë në Gilead, që të zgjeronin kufijtë e tyre. Zjarr do të ndez në muret e Rabahut, që fortesat t'ia përpijë. Ulërima në ditën e betejës, furtunë në ditën e stuhisë. Mbreti i saj do të shpërngulet, ai bashkë me princat e tij, thotë Zoti ”». «Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e Moabit, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. I dogji eshtrat e mbretit të Edomit, shkrumb e hi i bëri. Zjarr do të dërgoj kundër Moabit, që fortesat e Keriotit të përpijë. Do të vdesë Moabi nga britmat e luftës, nga kushtrimi i borisë. Do ta zhbij gjykatësin prej mesit të tij, do ta vras bashkë me princat, thotë Zoti ”. Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e Judës, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. E përçmuan ligjin e Zotit, urdhërimet e tij nuk i mbajtën. Gënjeshtrat e çuan në udhë të gabuar, udhën që ndoqën edhe etërit e tij. Zjarr do të dërgoj kundër Judës, që fortesat e Jerusalemit të përpijë”. Kështu thotë Zoti: “Për tri shkeljet e Izraelit, madje për katër, s'do ta kthej ndëshkimin. E shitën të drejtin për argjend, skamnorin për një palë sandale. Ia ngjeshën kokën të varfrit përdhe, të përvuajturit ia ngatërruan udhën. Atë e bir flenë me të njëjtën grua dhe kështu përdhosin emrin tim të shenjtë. Rrobën e marrë peng e bëjnë shtrojë përbri çdo altari dhe në shtëpinë e Perëndisë së tyre pinë verën që morën si dëmshpërblim. Unë para tyre i shkatërrova amoritët, që ishin të gjatë porsi cedrat, të fortë porsi lisat. Ia shkatërrova frytin lart e rrënjët poshtë. Unë ju nxora nga toka e Egjiptit, ju priva për dyzet vjet në shkretëtirë, që tokën e amoritëve të zotëroni. Nxora profetë prej bijve tuaj, nazireas prej të rinjve tuaj. A s'është kështu, o Izrael? Kumton Zoti. Por, ju u dhatë verë nazireasve, profetët i urdhëruat të mos profetizonin. Ndaj do t'ua trand tokën nën këmbë, siç tundet qerrja e mbushur me duaj. Këmbëshpejti do të ngrijë, i forti s'do të ketë forcë të qëndrojë, trimi s'do ta shpëtojë dot veten. Shigjetari s'do të rrijë dot në këmbë, këmbëshpejti s'do të ikë dot, kalorësi s'do ta shpëtojë dot veten. Edhe trimi më guximtar, do t'ia mbathë lakuriq atë ditë, kumton Zoti ”». «Dëgjojeni këtë fjalë, që Zoti foli kundër jush, o bijtë e Izraelit. Kundër gjithë familjes që nxori nga toka e Egjiptit: “Ju jeni të vetmit që zgjodha nga tërë fiset e dheut. Ndaj dhe do t'ju ndëshkoj për të gjitha fajet tuaja. A udhëtojnë dy veta bashkë, nëse nuk kanë lënë takim? A ulërin luani në pyll, nëse pre për të nuk ka? A angullin këlyshi i luanit nga strofka, nëse ka kapur gjë? A bie në tokë fluturaku, nëse laku nuk ngrihet për të? A shkrehet kurthi nga dheu, nëse nuk ka kapur gjë? A nuk trembet populli, kur kushtrimi i borisë në qytet lëshohet? A e zë fatkeqësia qytetin, nëse Zoti nuk e dërgon? Se, Zoti, Zoti im, nuk bën asgjë, pa ia zbuluar synimet profetëve, shërbëtorëve të vet. Ulëriu luani, kush nuk do t'i trembet? Foli Zoti, Zoti im, kush nuk do të profetizojë? Shpall nëpër fortesat e Ashdodit, nëpër fortesat e vendit të Egjiptit e thuaj: ‘Mblidhuni në malet e Samarisë, vrojtoni pështjellimet e saj e zgjedhën që e ka zënë’. Ata s'dinë si të sillen drejt, kumton Zoti, grumbullojnë dhunë e shkatërrim në fortesat e tyre”. Ndaj kështu thotë Zoti, Zoti im: “Armiku do të ta rrethojë vendin, forcën do të ta thyejë, fortesat do të t'i plaçkitë”. Kështu thotë Zoti: “Ashtu siç shpëton bariu nga goja e luanit dy këmbë apo ndonjë vesh, kështu do të shpëtojnë bijtë e Izraelit që banojnë në Samari e që shtrihen në një qoshe shtrati me shtrojë nga Damasku. Dëgjoni e dëshmoni kundër shtëpisë së Jakobit, kumton Zoti, Zoti im, Perëndia i ushtrive. Në ditën kur të ndëshkoj shkeljet e Izraelit, altarët e Betelit do t'i ndëshkoj. Brirët e altarëve do të këputen, ato do të bien përtokë. Do ta rrënoj shtëpinë e dimrit bashkë me atë të verës. Do të shkatërrohen shtëpitë e fildishta, shtëpitë e mëdha do të marrin fund, kumton Zoti ”». «Dëgjoni këtë fjalë, o ju lopët e Bashanit, që jeni në malin e Samarisë, ju që shtypni të mjerët e mundoni skamnorët, ju që u thoni zotërinjve tuaj: na sillni për të pirë! Zoti, Zoti im u betua për shenjtërinë e vet, se po ju vijnë ditët kur do t'ju kapin me grremça, e pasardhësit tuaj me grepa. Njërën pas tjetrës do t'ju kapin përmes të çarave të murit e në Harmon do t'ju degdisin, kumton Zoti. Shkoni në Betel e shkelni ligjin, në Gilgal e shtoni shkeljet. Sillini flijimet në mëngjes, të dhjetën në ditën e tretë. Digjeni për lavd kushtimin e mbrujtur, shpallni me të madhe flitë vullnetare, se kështu doni të veproni, o bij të Izraelit, kumton Zoti, Zoti im. Ndaj dhe unë ju lashë gojëzbrazur në të gjitha qytetet tuaja e pa bukë në gjithë vendet tuaja, por tek unë ju nuk u kthyet, kumton Zoti. Ndaj dhe unë e mbajta shiun tre muaj para korrjes. E çoja shiun në një qytet, por jo në një tjetër. Njëra pjesë e tokës lagej, ndërsa tjetra digjej e thatë. Banorët e dy a tri qyteteve iknin në një qytet tjetër për të gjetur ujë e s'ngopeshin, por tek unë ju nuk u kthyet, kumton Zoti. Ju godita me urth e vrug. Shumë kopshte e vreshta tuajat, fiq e ullishta i përlau vemja, por tek unë ju nuk u kthyet, kumton Zoti. Dërgova murtajën mes jush, siç e dërgova në Egjipt. I vrava me shpatë djelmoshat tuaj, kuajt tuaj i bëra pre. Hundët jua shpova me kutërbimin e fushimit, por tek unë ju nuk u kthyet, kumton Zoti. Ju përmbysa, siç i përmbysi Perëndia Sodomën e Gomorrën, u bëtë si trungu i përcëlluar nga zjarri, por tek unë ju nuk u kthyet, kumton Zoti. Ndaj kështu do të sillem me ty, o Izrael. Meqë do të veproj kështu, përgatitu të takosh Perëndinë tënd, o Izrael. Ja, ai që u dha trajtë maleve dhe erën krijoi, ai që i dëfton njeriut synimet, ai që e bën agimin terr dhe ecën mbi kreshtat e tokës, është Zoti, Perëndi i ushtrive është emri i tij». «Dëgjojeni këtë fjalë, që unë po thur si vajtim kundër jush, o shtëpia e Izraelit! Ra e më s'do të ngrihet virgjëresha e Izraelit. U harrua në tokën e vet, s'ka kush ta ngrejë. Kështu thotë Zoti, Zoti im: qytetit që dërgoi në luftë një mijë vetë, do t'i mbesin vetëm njëqind e atij që dërgoi njëqind, do t'i mbesin vetëm dhjetë, për shtëpinë e Izraelit. Kështu thotë Zoti për shtëpinë e Izraelit: kërkomëni e do të jetoni! Mos kërkoni Betelin, në Gilgal mos shkoni e as nëpër Bershebë mos kaloni, se Gilgali vërtet do të shpërngulet, Beteli do të zhbëhet. Kërkoni Zotin e do të jetoni! Përndryshe do të vërshojë si zjarri në shtëpinë e Jozefit, do ta përpijë e s'do të ketë kush ta shuajë zjarrin në Betel. O ju që krimbni drejtësinë e të drejtën hidhni përdhe. Ai që bëri Shenjëzat e Orionin, që kthen terrin në agim e ditën në natë e terratis, ai që mbledh ujërat e deteve e mbi faqen e dheut i dikon, Zot është emri i tij. Ai kundër të fortit shkatërrimin flakëron, e mbi fortesat rrënimin dërgon. O ju, që urreni gjyqtarin në kuvend e atë që flet të vërtetën përçmoni, ngaqë të varfrit i vini taksë e tagër merrni nga drithi i tij, shtëpitë prej guri që ndërtuat nuk do t'i banoni, vreshtat e vyer që mbollët nuk do t'i shijoni. I di shkeljet tuaja të shumta, mëkatet tuaja të mëdha, o ju, që kundërshtoni të drejtin e merrni mitë, ju, që vendosni ta hidhni tej të vobektin. Ndaj i urti hesht në këtë kohë, se kohë të liga janë këto. Kërkoni të mirën e jo të ligën, që të jetoni, që me ju të jetë Zoti, Perëndia i ushtrive, siç edhe thatë. Urreni të ligën, duajeni të mirën, vendosni drejtësinë në kuvend. Ndoshta Zoti, Perëndia i ushtrive, do ta mëshirojë tepricën e Jozefit. Ndaj kështu thotë Zoti, Zoti im, Perëndia i ushtrive, në çdo shesh do të vihet kujë, në çdo rrugicë do të thuhet: Mjerë, Mjerë! Do të thërrasin bujkun, që zi të mbajë, njehatoret për të vajtuar. Në çdo vresht do të dëgjohen vaje, se mes teje unë do të kaloj, thotë Zoti. Mjerë ata që dëshirojnë ditën e Zotit. Pse e kërkoni ditën e Zotit? Ajo është terr e jo dritë! Është siç i ndodh atij që ia mbath prej luanit, por has arushën, që hyn brenda në shtëpi, mbështet dorën në mur e gjarpri ia kafshon. A s'është dita e Zotit errësirë e jo dritë, terr e jo shkëlqim? I urrej, i përçmoj të kremtet tuaja, festat ku mblidheni nuk më kënaqin. E në më kushtofshi fli shkrumbimi, kushtimet tuaja s'do t'i pranoj, flitë e majme të paqtimit s'do t'i vështroj. Ma hiqni zhurmën e këngëve, tingullin e lirës nuk e dëgjoj. Le të rrjedhë drejtësia si uji, e drejta porsi përroi që kurrë s'shteron. A më sollët kushtime e flijime dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit? Ju lartësoni Sikutin si mbret, Kijunin si idhull e yllin si hyjni, që i bëtë për veten tuaj. Ndaj do t'ju shpërngul përtej Damaskut, thotë Zoti. Perëndi i ushtrive është emri i tij». «Mjerë ata që krekosen në Sion, që ndihen të sigurt në malin e Samarisë, mjerë paria e kombit të përzgjedhur, te të cilët shtëpia e Izraelit shkon për ndihmë. Kaloni nëpër Kalneh e vështroni, shkoni prej andej në Hamat Rabah, zbrisni te Gati i Filistesë. A mos jeni më të mirë se këto kombe? A është vendi i tyre më i madh se vendi juaj? O ju, që shpërfillni ditën e mjerimit e pushtetin e dhunës nxisni. Mjerë ata që shtrihen në shtretër të fildishtë, që shtriqen divaneve, e hanë qengjat e kopesë dhe viçat e stallës. Ata luajnë me lirën e si Davidi sajojnë vegla muzikore, pinë verë me tas, veten vajosin me vaj të përzgjedhur e për rrënojat e Jozefit nuk lëngojnë. Ndaj do të jenë në krye të të shpërngulurve, fund do të marrë gazi i tyre i shfrenuar. U betua Zoti, Zoti im për veten e vet, kumton Zoti, Perëndia i ushtrive: “Më neveritet krenaria e Jakobit, fortesat e tij i urrej e qytetin me ç'ka brenda do ta dorëzoj”. Nëse mbesin dhjetë vetë në një shtëpi, edhe ata do të vdesin. Një nga të afërmit, ai që djeg kufomat, kur të nxjerrë eshtrat nga shtëpia do të pyesë: “A ka mbetur ndonjë tjetër brenda?”. I afërti në fund të shtëpisë do të përgjigjet: “Jo!”. E më pas do të thotë: “Hesht! Se nuk bën të përmendet emri i Zotit!”. Ja, Zoti po jep urdhër, shtëpinë e madhe do ta bëjë copë e çikë, shtëpinë e vogël do ta bëjë thërrime. A kalërojnë kuajt mbi shkëmbinj? A lërohet shkëmbi me qe? Por, ju e kthyet të drejtën në helm, frytin e drejtësisë në farmak. O ju që mburreni për Lo Debarin, e thoni: “A nuk e pushtuam me forcën tonë?”. Ja, po ngre kundër jush një komb, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti, Perëndia i ushtrive, do t'ju shtypin që nga Lebo Hamati deri në luginën e Arabahut». «Ja çfarë më dëftoi Zoti, Zoti im: karkalecat po bëheshin gati teksa të mbjellat e vonshme po çelnin e kositja e mbretit kishte ndodhur. E si mbaruan së ngrëni gjelbërimin e vendit, thashë: të përgjërohem, o Zot, Zoti im, fale Jakobin, se s'do t'i bëjë dot ballë. Ai është i vogël. Zotit i erdhi keq e tha: kjo nuk do të ndodhë! Ja çfarë më dëftoi Zoti, Zoti im: zjarrin po thërriste Zoti, Zoti im, që të sillte gjykim. E thau humnerën e madhe dhe tokën e përpiu. Atëherë thashë: të përgjërohem, o Zot, ndale, se Jakobi s'do t'i bëjë dot ballë. Ai është i vogël. Zotit i erdhi keq e tha: as kjo nuk do të ndodhë! Ja çfarë më dëftoi: Zoti po qëndronte mbi një mur të drejtë me plumbç në dorë e më tha: “Amos, çfarë shikon?”. Unë thashë: “Një plumbç”. Ai tha: “Ja po e vendos plumbçin mes për mes popullit tim, Izraelit. Nuk do ta fal më. Do të rrënohen vendet e larta të Isakut, shenjtëroret e Izraelit do të rroposen. Shpatën do ta ngre kundër shtëpisë së Jeroboamit”. Atëherë Amacjahu, prifti i Betelit, i dërgoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: “Amosi po kurdis diçka kundër teje, në mes të shtëpisë së Izraelit. Vendi nuk mund t'i durojë gjithë fjalët e tij. Ja ç'thotë Amosi: ‘Jeroboami do të vdesë prej shpatës. Me të vërtetë, Izraeli do të shpërngulet prej tokës së tij’”. Atëherë Amacjahu i tha Amosit: “Ik, o vegimtar, mbathja drejt tokës së Judës. Rri atje e profetizo! Për Betelin mos profetizo më, se është shenjtërorja e mbretit, pallati mbretëror”. Amosi iu përgjigj Amacjahut: “Unë nuk jam profet e as bir profeti. Jam blegtor e vjelës fiqsh. Zoti më mori prej kopeve e më tha: ‘Shko e profetizoji populli tim, Izraelit’. Prandaj, tani, dëgjoje fjalën e Zotit: ti po thua mos profetizo kundër Izraelit dhe mos e hap gojën kundër shtëpisë së Isakut”. Prandaj kështu thotë Zoti: “Jot shoqe do të bëhet lavirja e qytetit, bijtë e bijat e tu prej shpatës do të bien, me konop do të ndahet toka jote e ti në dhe të huaj do të vdesësh. Me të vërtetë, Izraeli do të shpërngulet prej tokës së tij”». «Ja çfarë më dëftoi Zoti, Zoti im: një kanistër me fruta verore. E më tha: “Amos, çfarë shikon?”. “Një kanistër me fruta verore”, i thashë. Pastaj Zoti më tha: “I erdhi fundi popullit tim, Izraelit. Nuk do ta fal më! Himnet e tempullit do të kthehen në vaje, atë ditë, kumton Zoti, Zoti im. Kufoma të shumta do të shkapërdahen gjithandej. Hesht! Dëgjoni këtë, o ju që shtypni të vobektin, që të përvuajturin e vendit përpini! Ju thoni: kur mbaron kjo hënë e re, që të shesim drithë? Kur mbaron kjo e shtunë? Që grurin ta nxjerrim në treg, që masën ta zvogëlojmë e çmimin ta rrisim, e peshoret t'i bëjmë të rrejnë, që të varfrin ta blejmë me argjend, të vobektin për një palë sandale e mbeturinat e grurit të shesim”. Zoti përbetohet për krenarinë e Jakobit: “Kurrë nuk do t'i harroj veprat e tyre. A nuk do të trandet toka për këtë, a nuk do të vajtojnë tërë banorët e saj? A nuk do të mbufatet e gjithë toka porsi Nili, a nuk do të përpëlitet e fashitet porsi lumi i Egjiptit? Atë ditë, kumton Zoti, Zoti im, diellin do ta perëndoj në mesditë, tokën do ta errësoj në mes të ditës. Te kremtet tuaja do t'i shndërroj në vaje, këngët në vajtime. Do të hedh grathore mbi çdo ijë, çdo kokë do ta bëj shog. Do ta bëj si kuja për fëmijën e vetëm, do të marrë fund si ditë hidhërimi. Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, Zoti im, kur do të çoj urinë mbi tokë, jo uri për bukë, apo etje për ujë, por uri për të dëgjuar fjalët e Zotit. Do të enden nga deti në det, nga veriu në lindje, do t'i bien kryq e tërthor, për të kërkuar fjalën e Zotit, por nuk do ta gjejnë. Do të meken atë ditë nga etja vashat e bukura e djelmoshat, ata që bëjnë be për fajin e Samarisë e thonë: pasha Perëndinë tënd, o Dan! Pasha udhën e Bershebës! Ata do të bien e kurrë nuk do të ngrihen”». «E pashë Zotin teksa qëndronte pranë altarit e thoshte: “Godite krythin që pragjet të tranden, përplasjau të gjithëve në kokë, këdo që mbetet prapa me shpatë do ta vras. Askush prej tyre s'do ia mbathë dot, askush s'do mund të shpëtojë. E në zbritshin poshtë në skëterrë, dora ime që atje do t'i nxjerrë. Në u ngjitshin lart në qiell që atje do t'i rrëzoj. Në u fshehshin në majat e Karmelit, atje do t'i kërkoj e do t'i kap. Në u zhdukshin prej syve të mi në fund të detit, atje do ta urdhëroj përbindëshin që t'i kafshojë. Në ikshin si robër tek armiqtë, atje shpatën do ta urdhëroj t'i vrasë. Sytë nuk do t'ua ndaj për t'u bërë keq e jo mirë”. Zoti im, Zoti i ushtrive, kur tokën prek, ajo tretet, mbarë banorët e saj vajtojnë, toka mbarë mbufatet porsi Nili e fashitet si lumi i Egjiptit. Ai që banesën e ndërtoi në qiell e qemerin ia vuri në tokë, ai që thërret ujërat e detit dhe i vërshon ato mbi tokë, e ka emrin Zot. “A nuk jeni për mua si bijtë e Kushit, o bijtë e Izraelit”, kumton Zoti. “A nuk e nxora Izraelin nga toka e Egjiptit, siç i nxora filistinët nga Kaftori dhe Aramin nga Kiri? Ja, sytë e Zotit, Zotit tim, janë mbi mbretërinë e mëkatit, atë do ta fshij prej faqes së dheut, por s'do ta shkatërroj krejt shtëpinë e Jakobit”, kumton Zoti. “Ja, unë po jap urdhër, do ta tund shtëpinë e Izraelit mes kombeve, siç tundet sita prej së cilës asnjë guralec nuk bie. Nga shpata do të vdesin të gjithë mëkatarët e popullit tim, të gjithë ata që thonë: asnjë e keqe s'do të na gjejë. Atë ditë do ta ringre kasollen e rrëzuar të Davidit, do t'ia ndreq të çarat e murit, rrënojat do t'ia ringre do ta ndërtoj si në kohët e kahershme, që të zotërojnë tepricën e Edomit e të gjitha kombet, mbi të cilët thirret emri im”, kumton Zoti, ai që i bën këto. “Ja, po vijnë ditët”, kumton Zoti, “Kur bujku do të prodhojë më shumë se korrësi e shitësi i rrushit më shumë se ai që e mbjell, kur malet do të rrjedhin musht e tërë kodrat do të vërshojnë. Do ta përtërij popullin tim, Izraelin. Ata do t'i rindërtojnë qytetet e rrënuara e në to do të banojnë. Do të mbjellin vreshta e verën do t'ia pinë. Do të mbjellin kopshte e frytet do t'ia hanë. Do t'i ngul në tokë, e kurrë nuk do t'i shpërngul nga toka që u dhashë”, thotë Zoti, Perëndia yt». Vegimi i Abdisë. «Kështu thotë Zoti, Zoti im, për Edomin: dëgjuam një lajm prej Zotit, kasneci shpalli mes kombeve: “Ngrihuni! Përpara në luftë kundër Edomit!”. Ja, të bëra të vogël mes kombeve, shumë do të të përbuzin. Të gënjeu mendjemadhësia, ty që në shkrepa shkëmbinjsh banon e në banesa fisnike qëndron. Me vete thua: “Kush do të më hedhë përtokë?”. Edhe sikur të fluturosh lart porsi shqiponja, ndër yje ta ngresh folenë, poshtë do të të hedh, kumton Zoti. Nëse kusarët, grabitësit e natës, hyjnë brenda, a nuk do të bastisin vetëm aq sa munden? Nëse korrësit vijnë për të korrur, a nuk do të lënë mbrapa ndonjë kalli? Por ti, ke marrë fund krejt! Ah, si u plaçkit Esau! Si u rrëmuan thesaret e tij! Të zbuan përtej kufijve tërë besëlidhësit e tu, të mashtruan, të mposhtën paqedashësit e tu. Miqtë e sofrës pritë të kanë vënë, por ti s'kupton gjë. Atë ditë, kumton Zoti, a nuk do ta shuaj të urtin prej Edomit, mençurinë prej malit të Esaut? Trimat e tu do të tmerrohen, o Teman, e në malin e Esaut kërdija do të zhbijë çdokënd. E dhunove vëllain tënd, Jakobin, ndaj turpi do të të mbulojë e do të shuhesh përgjithmonë. Ditën kur ndenje mënjanë, kur të ardhurit ia zunë rob pasurinë, kur të huajt i hynë në qytet, e për Jerusalemin hodhën short, edhe ti ishe si një prej tyre. Ti s'duhej të rrije e të vështroje, ditën kur yt vëlla u zu ngushtë. S'duhej të festoje, ditën kur bijtë e Judës u shkatërruan. S'duhej të mburreshe, ditën e fatkeqësisë. S'duhej të hyje brenda qytetit të popullit tim, ditën kur u shkatërrua, e as të kundroje të keqen që e zuri, ditën kur u shkatërrua. S'duhej t'ia prekje pasurinë, ditën kur u shkatërrua. S'duhej të rrije udhëkryqeve, për të vrarë të ikurit e tij. S'duhej t'i dorëzoje ata që shpëtuan, ditën e fatkeqësisë. Po afron dita e Zotit kundër gjithë kombeve. Siç bëre, do të ta bëjnë, sjellja jote do të të bjerë kokës si shpërblim. Kupën që pitë në malin tim të shenjtë, mbarë kombet do ta pinë përherë. Do të pinë, do të rrëkëllejnë, do të shuhen si të mos kishin qenë kurrë! Ata që shpëtuan do të mbesin në malin Sion, e ai do të jetë i shenjtë. Do ta zotërojë pronën e vet shtëpia e Jakobit. Zjarr do të jetë shtëpia e Jakobit, flakë shtëpia e Jozefit, por shtëpia e Esaut kashtë e thatë. Do ta djegin e do ta përpijnë, askush prej shtëpisë së Esaut nuk do të shpëtojë gjallë, se kështu foli Zoti. Të ardhurit prej jugut do ta pushtojnë malin e Esaut, ata prej perëndimit do t'i sundojnë filistinët. Do ta pushtojnë vendin e Efraimit e të Samarisë, Benjamini Gileadin do ta sundojë. Mërgimtarët e kësaj morie, bijtë e Izraelit, do ta marrin Kanaanin deri në Sareptë. Mërgimtarët e Jerusalemit, që janë në Sefarad, do të pushtojnë qytetet e Negevit. Do të ngjiten çlirimtarët në malin e Sionit, që të gjykojnë malin e Esaut, dhe mbretëria Zotit do t'i përkasë». Zoti i foli Jonait, birit të Amitait, e i tha: «Ngrihu e shko në qytetin e madh të Ninivës e fol kundër tij, sepse ligësia e banorëve të tij ka mbërritur deri tek unë». Atëherë Jonai u ngrit e mori arratinë për në Tarshish, larg pranisë së Zotit. Zbriti në Jafë e gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi për udhëtimin dhe hipi në anije për të shkuar bashkë me të tjerë në Tarshish, larg pranisë së Zotit. Por Zoti kishte dërguar në det një erë të fortë. Stuhia në det qe aq e furishme, saqë anija rrezikonte të copëtohej. Atëherë detarët i zuri frika dhe secili i thirri perëndisë së vet për ndihmë. Për të lehtësuar anijen, hodhën në det edhe ngarkesën e saj. Ndërkaq, Jonai kishte zbritur poshtë, brenda anijes, ishte shtrirë dhe kishte rënë në gjumë të thellë. Kapiteni i anijes iu afrua e i tha: «Çfarë? Po fle? Ngrihu e thirri perëndisë tënd për ndihmë! Ndoshta ky perëndi kujtohet për ne e kështu nuk marrim fund». Detarët i thanë njëri-tjetrit: «Ejani të hedhim short që të dimë për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi». Hodhën short e i ra Jonait. Atëherë ata e pyetën: «Ja na thuaj, për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi? Me çfarë merresh e nga vjen? Nga ç'vend e nga ç'popull je?». Jonai u përgjigj: «Hebre jam dhe Zotin, Perëndinë e qiellit, druaj. Ai krijoi detin e dheun». Atëherë ata burra i kapi një frikë e madhe, prandaj i thanë: «Si e bëre këtë gjë!». Ata e dinin se Jonai kishte marrë arratinë nga prania e Zotit, se ua kishte thënë vetë. Ngaqë deti po bëhej gjithnjë e më i egër, ata e pyetën: «Çfarë të bëjmë me ty që të na qetësohet deti?». Ai u tha: «Më kapni e më hidhni në det, që deti të qetësohet, sepse unë e di se kjo stuhi ju ra për shkakun tim». Detarët u dhanë rremave për ta kthyer anijen në breg, por nuk mundën, sepse deti po bëhej gjithnjë e më i egër. Atëherë i thirrën Zotit e thanë: «O Zot, mos na e merr jetën për shkak të këtij njeriu e mos na fajëso për gjak të pafajshëm, se ti, o Zot, ke bërë sikurse ke dashur». Kështu, e morën Jonain dhe e hodhën në det. Deti u qetësua nga tërbimi. Atëherë ata burra i pushtoi një frikë e madhe ndaj Zotit. I kushtuan Zotit një flijim e u betuan para tij. Zoti dërgoi një peshk të madh që ta gëlltiste Jonain dhe Jonai qëndroi në barkun e peshkut tri ditë e tri net. Nga barku i peshkut, Jonai iu lut Zotit, Perëndisë së tij, duke thënë: «Kur u gjenda ngushtë i thirra Zotit e m'u përgjigj; thellë nga barku i skëterrës kërkova ndihmë e ti ma dëgjove zërin. Në thellësi më hodhe, në zemër të detit, ku rrjedha e ujit nga çdo anë më rrethoi dhe gjithë dallgët e valët e tua mbi mua kaluan. Dhe unë thashë me vete: “Ndonëse i dëbuar larg pranisë sate, kam për ta parë sërish tempullin tënd të shenjtë”. Ujërat më mbuluan deri në grykë, humnera e detit më rrethoi nga çdo anë, algat rreth kokës m'u mbështollën. I fundosur deri në rrëzë të maleve, ku shulat e nëntokës përgjithmonë pas meje ishin mbyllur, ti nga gropa e vdekjes lart të gjallë më ngjite, o Zot, Perëndia im. Kur jeta ime po fikej, Zotin kujtova e lutja ime te ti mbërriti, në tempullin tënd të shenjtë. Ata që adhurojnë idhuj të kotë braktisin mirësinë tënde, ndërsa unë, me këngë falënderimi fli do të të kushtoj dhe çfarë kam premtuar do ta bëj. Shpëtimi vjen nga Zoti ». Atëherë Zoti e urdhëroi peshkun ta villte Jonain në breg. Zoti i foli për herë të dytë Jonait e i tha: «Ngrihu e shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoji çfarë po të them». Atëherë Jonai u ngrit e shkoi në Ninivë, siç i kishte thënë Zoti. Niniva ishte një qytet aq i madh, saqë duheshin tri ditë udhë për ta përshkuar. Jonai bëri një ditë udhë nëpër qytet duke thirrur: «Edhe dyzet ditë dhe Niniva shkatërrohet!». Atëherë banorët e Ninivës besuan në Perëndinë, shpallën agjërim e u veshën me grathore, nga më i madhi e deri te më i vogli. Kur fjala i vajti në vesh mbretit të Ninivës, ai u ngrit nga froni, hoqi gunën, u vesh me grathore dhe u ul në hi. Nxori edhe një lajmërim në Ninivë ku thuhej: «Me dekret të mbretit e të fisnikëve të tij, asnjë njeri apo kafshë, tufë apo kope, të mos vërë gjë në gojë, të mos hajë e as ujë të mos pijë. Njerëzit e kafshët të vishen me grathore e t'i thërrasin fort Perëndisë për ndihmë. Secili të kthehet nga udha e tij e ligë dhe nga dhuna që bën. Kush e di! Ndoshta Perëndia ndërron mendje, zbutet dhe heq dorë nga zemërimi i tij i madh e kështu nuk marrim fund». Perëndia pa se çfarë bënë banorët e Ninivës dhe si u kthyen nga udha e tyre e ligë. Atëherë Perëndia u zbut për të keqen që kishte thënë se do t'u bënte dhe nuk e bëri. Jonai u mërzit shumë nga kjo e u zemërua. Atëherë iu lut Zotit e tha: «O Zot, a nuk doli siç thashë që kur isha në vendin tim? Prandaj në fillim mora arratinë për në Tarshish, se e dija që ti je Perëndi i mëshirshëm e i dhembshur, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, dhe që zbutesh e nuk ndëshkon. E tani të lutem, o Zot, merrma jetën, se për mua më e mirë është vdekja, se jeta». Dhe Zoti e pyeti: «A është mirë që u zemërove kështu?». Jonai doli nga qyteti e u ul në lindje të tij. Atje bëri një kasolle e u ul nën hijen e saj për të parë se ç'do të bëhej me qytetin. Zoti Perëndi bëri të mbijë një bimë ricini, që u rrit e u bë më e lartë se Jonai, për t'i bërë hije e për ta çliruar nga ligësia. Jonai u gëzua shumë për bimën. Por të nesërmen kur po zbardhte, Perëndia dërgoi një krimb që i ra bimës e bima u tha. Kur doli dielli, Perëndia dërgoi një erë përvëluese nga lindja. Dielli i ra në kokë e Jonai u trullos. Atëherë Jonai donte të vdiste e tha: «Më mirë të vdes, sesa të jetoj». Perëndia i tha: «A është mirë që u zemërove për një bimë?». Jonai iu përgjigj: «Mirë është që u zemërova për vdekje». Atëherë Zoti i tha: «Ty të erdhi keq për një bimë, për të cilën nuk punove e nuk e rrite vetë, një bimë që për një natë mbiu e për një natë u tha. Po mua, nuk duhet të më vijë keq për qytetin e madh të Ninivës, ku banojnë më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë të djathtën nga e majta, dhe ku ka një numër të madh kafshësh?». Fjala e Zotit drejtuar Mikesë nga Morashtiu në ditët e Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës; vegimi që pati për Samarinë e Jerusalemin. «Dëgjoni, o mbarë popuj, mba vesh, o tokë, e tërë ju që jeni mbi të, se Zoti, Zoti im, do të dëshmojë kundër jush, Zoti im, prej tempullit të tij të shenjtë! Ja, po del Zoti nga vendi i tij, do të zbresë e do të shkelë mbi kreshtat e tokës. Malet do të shkrihen nën të, luginat do të ndahen më dysh, porsi dylli para zjarrit, porsi uji që derdhet rrëpirës, krejt për faj të shkeljeve të Jakobit e mëkateve të shtëpisë së Jerusalemit. A nuk është Samaria shkelja e Jakobit? A nuk janë vendet e larta të Judës Jerusalemi? Gërmadhë do ta bëj Samarinë, vend ku mbillen vreshta. Do t'ia rrokullis gurët nëpër lugina, themelet do t'ia nxjerr! Do t'i rrënohen tërë shëmbëlltyrat që ka, shpërblimi do t'i digjet në zjarr. Do t'ia shkatërroj të gjitha idhujt, se prej pagës së lavires i mblodhi e për pagë lavireje do të shkojnë. Për këtë do të vajtoj e do të vë kujë, do të eci këmbëzbathur e lakuriq, do të ulërij porsi çakalli, do të klith porsi struci, se plaga e saj është e pashërueshme, mbërriti deri në Judë, i kaploi portat e popullit tim, deri në Jerusalem. Mos tregoni gjë në Gat, as mos vajtoni, në Betleafrah zvarrituni në pluhur. O banorë të Safirit, ikni të turpëruar e lakuriq. Banorët e Cananit nuk dolën. Vajton Betezeli, nuk do ta keni më për ndihmë. Banorët e Marotit presin me ngashërim, se mbi portat e Jerusalemit Zoti dërgoi fatkeqësi. Mbrehini kuajt në karroca, o banorë të Lakishit! Shkak mëkati ishe për bijën e Sionit, te ti u gjend shkelja e Izraelit. Ndaj dërgoji Moreshgatit dhuratë lamtumire. Do të zhgënjehen mbretërit e Izraelit me shtëpitë e Akzibit. Do të sjell sërish një pushtues te ju, o banorë të Mareshahut. Në Adulam do të shkojë nderi i Jerusalemit. Qethe e rruaje kokën për fëmijët e tu të dashur. Bëje kokën shogë porsi shqiponja, se në mërgim do të të ikin». «Mjerë ata që kurdisin ligësi e vepra të mbrapshta në shtrojë. Sa zbardh mëngjesi i kryejnë, se e kanë në dorë t'i bëjnë. Lakmojnë ara e i zaptojnë, lakmojnë shtëpi e i rrëmbejnë. Zhvasin burrin bashkë me shtëpinë e tij, zhvasin njeriun e trashëgimin e tij. Ndaj, kështu thotë Zoti: “Ja, për këtë familje po kurdis një fatkeqësi që nuk do ta hiqni dot qafe. Kryelartë s'do të dilni prej saj, se koha e kobshme po ju pret. Atë ditë do të bëheni përrallë e do të vajtohet: ‘U shkatërruam! U shkatërruam!’. Prona e popullit tim ndërruaka duar! Ah, si më ikën duarsh! Arat tona tradhtarëve u shkuan!”. Ndaj askush s'do të hedhë short për ju në bashkësinë e Zotit. “Mos kumtoni!”, kumtojnë ata, “Mos i kumtoni këto fjalë, se nuk do të turpërohemi”. Pse, o shtëpi e Jakobit, a thuhet: “ Zoti s'paska më durim! Të tilla qenkan veprat e tij!”? A nuk i sjellin mirësi fjalët e mia, atij që ecën drejt? Por, së fundi, populli im ngriti krye porsi armik. Ia rrëmbeni gunën atij që ecën udhës qetë e që s'ka ndër mend të ndeshet. Gratë e popullit tim i dëboni nga shtëpitë e tyre të dashura. Lavdinë time ua rrëmbeni përherë fëmijëve të tyre. Ngrihuni, ikni, në këtë vend nuk ka prehje, se u ndot, u rrënua, hidhur u shkatërrua. Këdo që shkon nga fryn era e gënjen: “Do të kumtoj për verë e pije të forta!”, ky popull e quan profet. Do të të mbledh tok, o Jakob, do t'i grumbulloj krejt tepricën e Izraelit. Do t'i bashkoj porsi dhentë në vathë, si kopetë nëpër kullota, dhe do të gumëzhijë njerëzia. Ai që çan udhën do t'u prijë, do të çajnë e do të kapërcejnë, nëpër porta do të hyjnë. Mbreti do të hyjë para tyre dhe Zoti në krye». «Thashë: dëgjoni, o krerë të Jakobit, e ju, o prijës të shtëpisë së Izraelit. A nuk ju takon juve ta njihni drejtësinë? Ju, urryesit e mirësisë e dashnorët e ligësisë, e rripni popullin të gjallë, mishin prej kockave ia shqyeni. E hëngrët të gjallë popullin tim, lëkurën ia rropët, kockat ia thërrmuat, në tavë e therët, porsi mishin në vorbë. Do ta thërrasin Zotin më vonë, por nuk do t'u përgjigjet. Do ta fshehë atëherë fytyrën prej tyre, për shkak të ligësive që kryen. Kështu thotë Zoti, për profetët që mashtrojnë popullin tim, që shpallin paqe veç kur kanë çka bluajnë me dhëmbë e luftë kundër atij që s'u jep për të ngrënë. Ndaj, do të bëhet natë e s'do të keni vegime, errësirë e s'do të keni shorti. Do t'u perëndojë dielli profetëve, dita do t'u bëhet terr. Vegimtarët do të turpërohen, shortarët do të skuqen, të tërë do të mbulojnë fytyrën, se Perëndia s'do të përgjigjet. Por, unë jam plot me fuqi e me shpirtin e Zotit, plot me drejtësi e guxim, për t'i treguar Jakobit shkeljen e tij, Izraelit mëkatin e tij. Dëgjoni, o krerë të shtëpisë së Jakobit, e ju, o prijës të shtëpisë së Izraelit. Ju, urryesit e drejtësisë e shtrembëruesit e së drejtës. Ju e ndërtoni Sionin me gjak e Jerusalemin me padrejtësi. Krerët japin gjykim me mitë, priftërinjtë japin mësim me pagesë, profetët bëjnë shorti me para e prapë mbështeten në Zotin e thonë: a s'është Zoti mes nesh? Asnjë e keqe s'do të na gjejë! Ndaj për fajin tuaj, Sioni do të lërohet si arë, Jerusalemi do të bëhet gërmadhë e mali i tempullit pyll i dendur!». «Në ditët që do të vijnë, mali i shtëpisë së Zotit do të ngrihet mbi majat e maleve, do të lartësohet përmbi kodra e popujt atje do të vërshojnë. Shumë kombe do të shkojnë e do të thonë: ejani të shkojmë te mali i Zotit, te shtëpia e Perëndisë së Jakobit. Ai do të na mësojë rrugët e tij, që të ecim udhëve të tij, se prej Sionit do të dalë ligji, prej Jerusalemit fjala e Zotit. Ai do të bëjë gjyq mes shumë popujve, do të japë vendime që larg për kombe të fuqishme. E ata, shpatat do t'i farkëtojnë për plugje, heshtat e tyre për drapërinj. Kombet s'do ta nxjerrin shpatën kundër njëri-tjetrit, për luftë nuk do të stërviten më. Secili do të ulet nën hardhinë e vet, nën fik, e s'do të ketë frikë, se Zoti i ushtrive foli me gojën e vet. Çdo popull ndjek perëndinë e tij, ndërsa ne ndjekim Zotin, Perëndinë tonë, përjetë e përgjithmonë. Atë ditë, kumton Zoti, do t'i mbledh të çalët e të zbuarit. Edhe ata që ndëshkova, tok do t'i mbledh. Me të çalët do të përftoj tepricën, të zbuarit do t'i bëj komb të fuqishëm e Zoti, në malin Sion, do të mbretërojë mes tyre, tani e përjetë. Te ti, o kulla e grigjës, o kodra e bijës së Sionit, te ti do të mbërrijë zotërimi i dikurshëm, mbretëria e bijës së Jerusalemit. Përse, pra, lëshon klithma? A nuk paska mbret te ti, a paska marrë fund këshilltari yt, që dhimbjet si ato të lindjes të zënkan kështu? Rënko e këlthit, si gruaja që lind, o bija e Sionit, se nga qyteti do të ikësh e në fusha do të banosh. Në Babiloni do të ikësh e atje do të shpëtosh. Atje Zoti do të të shpengojë nga dora e armikut tënd. Tani, shumë kombe janë mbledhur kundër teje e thonë: të poshtërohet Sioni! Të kënaqemi duke e parë! Ata nuk i dinë shestimet e Zotit, nuk i kuptojnë synimet e tij, se ai i ka mbledhur, porsi duaj në lëmë. Ngrihu e shij, o bija e Sionit, bririn do të ta bëj të hekurt, thundrat e tua prej bronzi, shumë kombe të dërrmosh. Zotit do t'ia kushtosh fitimet e tyre, Zotit të mbarë tokës, pasuritë e tyre. Tani, mblidhi trupat, o bijë e çetave, se jemi të rrethuar, me skeptër e godasin në fytyrë, gjykatësin e Izraelit». «E ti, o Betlehem i Efratës, edhe pse më i vogli ndër klanet e Judës, prej teje do të dalë për mua ai që do të sundojë në Izrael. Zanafilla e tij është prej lashtësisë, prej ditëve të amshimit. Perëndia do t'i braktisë derisa të lindë gruaja shtatzënë dhe vëllezërit që mbeten do të kthehen te bijtë e Izraelit. Ai do të qëndrojë e grigjën do ta kullotë, me fuqinë e Zotit, me madhështinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Ata do të banojnë të sigurt, se madhështia e tij do shtrihet në çdo skaj të tokës. Do të ketë paqe, e në ardhtë Asiria në tokën tonë e fortesat në na i shkeltë, do të ngremë nja shtatë a tetë prijës kundër tij, që, me shpatë, ta sundojnë tokën e Asirisë, me shpatë zhveshur tokën e Nimrodit. Ai do të na shpëtojë prej Asirisë, në ardhtë në tokën tonë e kufijtë në na i shkeltë. Teprica e Jakobit, do të jetë ndër shumë popuj, porsi vesa e Zotit, porsi rrebeshi mbi bar, që s'pret urdhër nga njeri e s'varet nga njerëzia. Teprica e Jakobit, do të jetë ndër shumë kombe, porsi luani ndër kafshët e pyllit, porsi luanthi mes kopeve të dhenve, që kur i has, shkel e shqyen e ato s'ka kush t'i shpëtojë. Dorën do ta ngresh kundër armiqve, e të gjithë kundërshtarët e tu do të zhbihen. Atë ditë, kumton Zoti, do t'i zhbij kuajt prej teje, do t'i shkatërroj qerret e tua. Do t'i zhbij qytetet e vendit tënd, do t'i rrënoj tërë fortesat e tua. Do t'i zhbij shortitë prej dorës tënde, shortarë nuk do të kesh më. Do t'i zhbij shëmbëlltyrat e përmendoret prej teje, veprën e duarve të tua nuk do ta adhurosh më. Do t'i çrrënjos shtyllat e Asherave prej teje, qytetet e tua do t'i shkatërroj. Do të hakmerrem furishëm e tërë zemëratë, me kombet që nuk dëgjojnë». «Dëgjoni, pra, ç'thotë Zoti: ngrihu e dil në gjyq para maleve, kodrat le ta dëgjojnë zërin tënd! Dëgjoni, o male, e ju, o themele të paepura të tokës, gjyqin që po bën Zoti, se me popullin e tij po hahet, Izraelin po padit. Ç'të bëra, o populli im? Si të mërzita? Përgjigjmu! Të nxora nga dheu i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë të çlirova. Para teje dërgova Moisiun, Aronin e Mirjamën. O populli im, kujto ç'kurdisi Balaku, mbreti i Moabit, ç'përgjigje i ktheu Balaami, biri i Beorit, çfarë ndodhi mes Shitimit e Gilgalit, që t'i mësosh veprat e drejta të Zotit. Si do t'i dal para Zotit e të përulem para Perëndisë së tejlartë? A t'i dal me fli shkrumbimi a me viç motak? A do të kënaqet Zoti me mijëra desh a me qindra mijëra përrenj vaji? A t'i jap të parëlindurin për shkeljen time a frytin e barkut për mëkatin tim? O njeri, ai ta tregoi çka është e mirë, çka Zoti kërkon prej teje: veç të veprosh drejt, të duash mirësinë dhe të jesh i përulur me Perëndinë tënd. Zëri i Zotit kumbon në qytet. I urti e druan emrin tënd. Dëgjo, o fis e kuvend i qytetit. A prapë shtëpia e të mbrapshtit ka thesare të liga dhe masa të rreme e të nëmura? A thua do t'i pranoj si të drejta peshoret hileqare e peshat mashtruese? Të pasurit veprojnë plot dhunë, banorët flasin rrena, gjuhë gënjeshtare kanë në gojë. Ndaj të ndëshkova me sëmundje, për mëkatet e tua të rrënova. Do të hash, por nuk do të ngihesh, barkun zbrazët do ta kesh. Do të ngresh gardhe, por gjë s'do të mbrosh, çfarë shpëton, shpatës do t'ia jap. Do të mbjellësh, por nuk do të korrësh, do të shtrydhësh ullinj, por s'do të vajosesh, do të shtrydhësh rrush, por verë s'do të pish. Ju mbani rregullat e Omriut, gjithë veprat e shtëpisë së Ahabit, këshillat e tyre ju ndiqni. Ndaj do të të shkatërroj, banorët do të t'i turpëroj, Ndëshkimin e popullit tim do të bartni». «Mjerë unë! U bëra si korrësi i të korrave, si vjelësi i rrushit, ku s'ka rrush për të ngrënë e as fiq që m'i ka ënda. U zhduk besëtari nga toka, s'ka më të drejtë mes njerëzve. Të gjithë ngrenë pritë për gjak, zënë njëri-tjetrin me rrjeta. Mirë u punojnë duart për keq, princi kërkon, gjykatësi merr mitë, i forti flet si ia ka ënda, e ata bashkë thurin mbrapshti. Mirësia e tyre porsi driza, drejtësia më keq se shkurre ferrash. Mbërriti dita e ndëshkimit që rojat shpallën, tani do të pështjellohen. Mos i zini besë mikut, as mos kini shpresë tek i afërti. Ruaj se hap gojën para gruas që të shtrihet në gji. Se biri e shpërfill të atin, bija ngrihet kundër të ëmës, nusja kundër vjehrrës, armiqtë e njeriut janë njerëzit e shtëpisë. Por unë nga Zoti do të vështroj, do të pres për Perëndinë, shpëtimtarin tim. Perëndia im do të më dëgjojë. Mos u ngazëllo për mua, o armikja ime, se ndonëse rashë, u ngrita, ndonëse rri në errësirë, Zoti është drita ime. Do ta duroj zemërimin e Zotit, se kundër tij mëkatova, derisa ta gjykojë çështjen time, e të më shpallë të drejtë. Ai do të më nxjerrë në dritë e drejtësinë e tij do të vëzhgoj. Armikja do të më shohë e turpi do ta zërë, atë që më tha: “Ku është Zoti, Perëndia yt?”. Sytë e mi do ta shohin, kur me këmbë do të shtypet, porsi balta rrugëve. Kjo është dita kur do të ndërtosh muret, dita kur kufijtë do të zgjerohen, dita kur te ti do të vijnë njerëz, nga Asiria e nga qytetet e Egjiptit, nga Egjipti deri në Eufrat, prej detit në det e prej malit në mal. Toka do të shkretohet, për faj të banorëve të saj, për faj të veprave të tyre. Kullote me kërrabë popullin tënd, dhentë e trashëgimisë sate, banorët që veças rrinë në korije, në mes të kullotave. Kullotshin ata në Bashan e Gilgal si në ditët e moçme. Si në ditët kur dole nga toka e Egjiptit, do t'i dëftoj mrekullitë. Do ta shohin kombet e do të turpërohen për tërë fuqinë e tyre. Do ta mbulojnë gojën me dorë e veshët do t'u shurdhohen. Do ta lëpijnë pluhurin porsi gjarpri, porsi zvarranikët e tokës. Prej strofujve do të dalin duke u dridhur, Zotit, Perëndisë tonë, do t'i nënshtrohen të tmerruar e prej teje do të kenë frikë. Cili Perëndi është si ti, që fajin e fal e shkeljen e kapërcen për tepricën e trashëgimisë sate? Zemërimi i tij s'mban përgjithmonë, se ai kënaqet kur përdëllim tregon. Mëshirë do të ketë sërish për ne. Ai do t'i ndryjë fajet tona, në fund të detit do t'i hedhë tërë mëkatet tona. Do të tregohesh besnik me Jakobin, dashamirës me Abrahamin, siç u premtove etërve tanë, në ditët e kahershme». Shpallje për Ninivën. Libri i Vegimeve të Naumit prej Elkoshit. «Perëndia është Zot xheloz e hakmarrës, hakmarrës është Zoti e Zot plot tërbim. Hak merr Zoti kundër armiqve të tij e shpërthen me tërbim ndaj kundërshtarëve të tij. Zoti është i ngadaltë në zemërim, i madhërishëm në fuqi, fajtorin nuk e lë pa ndëshkim. Zoti rrugëton në furtunë e stuhi, si pluhur i shkel retë këmba e tij. Qorton detin, e than atë, tërë lumenjtë i shteron. U mpak Bashani e Karmeli, u venit lulëzimi i Libanit. Prej tij malet tranden e kodrat dridhen. Para tij gulçon toka, bota e mbarë banorët e saj. Kush mund t'i bëjë ballë furisë së tij? Kush mund ta durojë zemërimin e tij? Porsi zjarri e derdh tërbimin, para tij shkërmoqen shkëmbinjtë. Zoti është i mirë, strehë në ditë të vështirë. I njeh ata që strehon te vetja. Por Ninivën e përmbyt e i jep fund, armiqtë i ndjek nëpër errësirë. Ç'po thurni kundër Zotit? Ai i jep fund gjithçkaje, ndaj telashe s'do të ketë më. Ata janë si lëmsh ferrash, të dehur si pijanecë. Do të përpihen si kashta e tharë krejt. Prej teje doli, ai që kundër Zotit ligësi kurdis. Këshilltar i mbrapshtë është ai. Kështu thotë Zoti: “Ndonëse janë të përkryer e të shumtë, do të korren e do të marrin fund. E ndonëse ty të ndëshkova, s'do ta bëj më kurrë. Tani, do ta thyej zgjedhën që ke në qafë, vargonjtë do të t'i këpus”. Për ty Zoti urdhëroi: “Emri yt nuk do të trashëgohet më. Do t'i zhbij idhujt e gdhendur e të metaltë prej shtëpisë së Perëndisë tënd. Do të të shtie në varr, se je pa vlerë”». «Ja, mbi male, këmba e kasnecit, e atij që paqen shpall. Kremtoji festat, o Judë, përmbushi zotimet e tua, se i poshtri nuk do të të pushtojë më, ai mori fund krejt. Shpartalluesi po vjen kundër teje. Ruaji kullat, vrojtoje udhën, ngjishi ijët e mblidhe tërë fuqinë. Se Zoti ia ktheu lavdinë Jakobit, ia ktheu lavdinë Izraelit, ndonëse grabitësit i bastisën e të mbjellat ua rrënuan. Shqytet e trimave kuqëlojnë, luftëtarët në kërmëz vezullojnë. Karrocat flakërojnë, kur për luftë i rreshton, heshtat i fërgëllojnë. Të tërbuara, karrocat rrugëve vërshojnë, lart e poshtë shesheve vrapojnë. Duken porsi rrufeja, turren porsi shkreptima. I mbledh prijësit, por rrugës ata pengohen. Drejt mureve armiqtë shpejtojnë, dashi gati u bë. U hapën portat e lumenjve, pallati mbretëror u drodh. Ninivën e zhveshën, e rrëmbyen, shërbëtoret e saj vajtojnë, gugatin porsi pëllumba, gjoksin rrahin fort. Niniva është si liqeni uji i të cilit shteron. “Ndaluni! Ndaluni!”. Por askush nuk kthehet mbrapsht. Rrëmbeni argjend! Rrëmbeni ar! Thesaret nuk kanë fund, përplot me sende të çmuara. Bastisje, plaçkitje e shkatërrim! Zemra mpaket, gjunjët dridhen, shtati ngjethet, fytyrat e të gjithëve zverdhen. Ç'po ndodh me këtë strofull luanësh, me këtë shpellë këlyshësh luani? Ku luani, luanesha e pjella e tyre bridhnin pa u trazuar. Ku luani shqyente mjaftueshëm për këlyshët e pre për luaneshat sillte. E mbushte shpellën me pre, strofullin me mish të shqyer. “Ja, jam kundra teje!”, kumton Zoti. Do të t'i djeg qerret, tym do të t'i bëj, shpata do t'i përpijë këlyshët e luanëve të tu. Do ta zhduk prej faqes së dheut prenë që zure, kasnecëve të tu kurrë s'do t'u dëgjohet zëri». «Mjerë qyteti gjakatar, i tëri mashtrim, përplot me plaçkitje, nuk i ndahen bastisjet. Frushkulli fërshëllen, rrotat rrapëllojnë. Kali vrapon, karroca tundet. Kalorësi vërsulet, shpata vezullon, heshta shkreptin. Mori të vrarësh, pirg kufomash, të vdekur pa fund, aq sa pengohen, kur ecin mes tyre, për shkak të kurvërimit pa fund të lavires, të bukuroshes magjepsëse, të mjeshtres së shortarisë, që me kurvëri e shortari, skllavëron kombe e fise. Ja, jam kundra teje, kumton Zoti i ushtrive. Deri në fytyrë fundin do të ta ngre, që të të shohin kombet lakuriq e mbretëritë me turp. Do të të mbuloj me neveri, do të të përçmoj e shembull do të të bëj. Kushdo që do të të shohë, do të zmbrapset e do të thotë: “Niniva u shkretua e askujt nuk i vjen keq. Ngushëllues s'kam ku t'i gjej”. A mos je më e mirë se No Amoni, që shtrihej buzë Nilit e ujërat e rrethonin, ku detin kishte si ledh e ujërat për mur? Prej Kushit e prej Egjiptit rridhte forca e tij. Ajo s'kishte kufi. Puti e Libani ishin përkrahësit e tij. Por edhe ai u shpërngul, vajti në robëri. Copë e çikë iu bënë fëmijët në çdo qoshe rruge. Short u hodh për fisnikët e tij, tërë paria në pranga ra. Edhe ti do të dehesh, do të tkurresh. Edhe ti prej armiqve do të kërkosh strehim. Si fiqtë e arrirë janë tërë fortesat e tua. Në i shkundsh, në gojë të bien. Ja, ushtria jote, ushtri grash. Portat e vendi iu hapën krejt armiqve, shulat e tyre zjarri i përpiu. Nxirr ujë për rrethim, forcoji fortesat, shko në baltë, ngjish argjilë, bëj tulla. Edhe aty do të të përpijë zjarri, shpata do të të shfarosë. Do të të përpijë porsi vemja. Shumohu porsi vemja, shumohu porsi karkaleci. I shtove tregtarët porsi yjet e qiellit, porsi vemja që shndërrohet e fluturon. Oborrtarët i ke porsi karkaleca, zyrtarët si mori karkalecash. Prehen mbi mure në ditë të ftohtë, ikin kur lind dielli pa ditur askush se ku. O mbreti i Asirisë, po të drobisin barinjtë, fisnikët po të koten, populli nëpër male po të shpërndahet e s'ka kush t'i mbledhë. Shërim s'ka për plagën tënde, je lënduar rëndë. Kush për ty dëgjon, duartroket, se mizorisë tënde askush nuk i shpëtoi». Vegimi që pa profeti Habakuk. «O Zot, për sa kohë do të të thërras e ti nuk do të dëgjosh? Për sa kohë do të klith: “Dhunë!” e ti nuk do të ndërhysh? Përse më bën të shoh padrejtësi, përse rri e vrojton prapësinë? Para kam shkatërrim e dhunë, dalin grindje e zënka. Ndaj dhe ligji zbehet, kurrë nuk del në pah e drejta. Ndaj shtrembërohet drejtësia dhe i mbrapshti të drejtin rrethon. Shikoni mes kombeve e vrojtoni, habituni e mrekullohuni, se po bëj diçka në ditët tuaja, s'do ta besoni kur t'jua tregojnë. Ja, po ngre kaldenjtë, një komb i vrazhdë e i rrëmbyer, që kryq e tërthor tokës i bie, për të zaptuar banesat që nuk i takojnë. I tmerrshëm e i frikshëm është ai, bën ligjin dhe nderin e vendos vetë. Kuajt i ka më të shpejtë se leopardi, më të egër se ujqit e natës. Kalorësit e tij kalërojnë, prej larg vijnë ata. Lëshohen porsi shqiponja që prenë e përpin vetëtimthi. Të gjithë ata dalin për dhunë, mori fytyrash vërshojnë e robër mbledhin porsi rërë. Mbretërit i përqesh, prijësit i qesëndis, zgërdhihet me çdo fortesë, se ngre pirgje dhe i pushton. Vërshon si era e kalon tej, është fajtor, se forcën ka për perëndi. O Zot, ti që je prej fillimit, Perëndia im, i shenjti im i pavdekshëm. O Zot, për të gjykuar e caktove, o Shkëmb, për të ndëshkuar e vendose. Sytë e tu janë tepër të pastër për ta parë ligësinë e prapësinë nuk e vrojtojnë dot. Përse i vrojton të pabesët, përse hesht kur i mbrapshti përpin të drejtin. E bëre njerëzinë si peshqit e detit, si zvarranikët, që s'kanë zot mbi vete. Kaldeu i gjuan të gjithë me grep, i tërheq me rrjetën e vet e me tratë i mbledh krejt, ndaj gëzohet e galdon, ndaj i flijon rrjetës së vet, i djeg temjan tratës së vet, se falë tyre merr pjesë të majme, ushqim të shijshëm ha. Mos për këtë do të vijojë rrjetën ta zbrazë e popujt pa fund t'i vrasë?». «Në vrojtore do të qëndroj, mbi kullë do të zë vend, që të shoh se ç'do të më thotë Perëndia, ç'përgjigje do t'i japë ankesës sime. Zoti më tha e m'u përgjigj: “Shkruaje vegimin, bëje të qartë në rrasa, që rrjedhshëm të lexohet. Vegimi ka kohën e vet, nxiton drejt përmbushjes e s'gënjen. Edhe në u vonoftë, prite, se vjen, vjen e nuk vonon. Ja, i padrejti në shpirt, do të meket, por i drejti do të jetojë prej besimit të vet”. Vërtet, pasuria është mashtruese, krenarin e bën të mos reshtë. Grykës është ai porsi skëterra, s'ngihet si mortja vetë. Për vete mbledh tërë kombet, grumbullon popujt krejt. Por, tërë këta, do të hedhin thumba ndaj tij, me gjëegjëza në lojë do ta vënë e do të thonë: “Mjerë ai që shton çka s'është e tija, që pasurohet me pengjet që merr! Por, për sa kohë?”. A s'do të ngrihen befas, ata që kamatë të paguajnë? A s'do të zgjohen, ata që të kallin datën? Preja e tyre do të bëhesh. Shumë kombe bastise, ndaj, gjithë sa mbetën, ty do të të plaçkisin, për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend, të qyteteve e banorëve të tyre. Mjerë ai që sjell fitime të mbrapshta në shtëpi e folenë e vet e ngre lart, që kthetrave të fatkeqësisë t'u shpëtojë! Shtëpinë me turp e mbulove, vetë e pësove, se shumë popuj there. Prej murit gurët do të thërrasin, e trarët do të përgjigjen prej pullazit. Mjerë ai që me gjak ndërton qytete e me padrejtësi ngre vendbanime! Ja, prej Zotit të ushtrive, a nuk shkojnë në zjarr mundimet e popujve e robtohen më kot kombet? Plot do të jetë toka me njohurinë e lavdisë së Zotit, siç mbushin ujërat detin. Mjerë ai që të afërtit i jep të pijë, e zbraz vrerin e vet dhe madje e deh, që ta shohë lakuriq! U dende me turp e jo me nder. Pi edhe ti, parrethprerjen trego. Kupa e të djathtës së Zotit po të vërtitet, turpi nderin do të ta mbulojë. Do të të kaplojë dhuna që hoqi Libani, kërdia e kafshëve do të të tmerrojë. Për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend, të qyteteve e banorëve të tyre. Ç'dobi ka idhulli, kur trajtën ia jep gdhendësi, copa e metalit që mashtrim përhap? Ç'dobi ka idhulli, kur përfytyrimit të vet mjeshtri i beson? Idhujt që bëri janë memecë! Mjerë kush i thotë drurit: “Zgjohu!”, gurit të pagojë: “Ngrihu!”. Pse, idhulli do të të mësojë?! Ja, i veshur është me ar e argjend, por nuk ka frymë jete në të. Por, Zoti është në tempullin e tij të shenjtë, mbarë toka para tij të heshtë». Lutja vajtuese e profetit Habakuk. «O Zot, dëgjova ç'thuhet për ty, bëmat e tua më tmerrojnë, o Zot. Përtëriji ato në vitet tona, në vitet tona bëji të ditura. Kur të zemërohesh, mëshirën kujto. Perëndia vjen prej Temanit, i Shenjti prej malit Paran. Madhështia e tij mbulon qiejt, lavdia e tij mbush tokën. Porsi drita shkëlqen, rreze duart e tij lëshojnë e atje fshihet fuqia e tij. Murtaja i paraprin, lëngata ndjek hapat e tij. Ai qëndron e toka trandet, hedh vështrimin e kombet dridhen, malet e moçme treten, kodrat e përjetshme përulen, udhët e amshuara janë të tij. Tendat e Kushanit i pashë në mjerim, pëlhurat e tendave të Midianit fërfërijnë. A u zemërove, o Zot, me lumenjtë? A me lumenjtë u ndez tërbimi yt? A me detin u hidhërove, që po kalëron mbi kuaj, mbi karrocat ngadhënjyese? E zhvesh harkun, e bën gati, shigjetat i ngjesh në kukurë. Me lumenj e ndan tokën. Malet të shohin e përpëliten, shtrëngata shpërthen, humnera lëshon britmën e lart duart i ngre. Shtangen dielli e hëna në qiell prej dritës së shigjetave të tua fluturuese, prej shkëlqimit të heshtës tënde flakëruese. Marshon mbi tokë plot furi, kombet i shtyp i zemëruar. Del, që popullin tënd të shpëtosh, të shpëtosh të vajosurin tënd. Kryet e shtëpisë ia shembe të mbrapshtit, e zhveshe nga themeli deri në majë. Me heshtën e vet e shpove kreun e ushtarëve që furishëm mësynë për të më degdisur e që thërrasin si të babëzitur, për të përpirë të mjerin që fshihet. E shkele detin me kuajt e tu dhe deti i madh shkumëzon. E dëgjova e barku m'u trazua, buzët m'u drodhën prej zërit, kalbësira m'i kaploi eshtrat e këmbët zunë të më dridhen. Por, i qetë do të pres për fatkeqësinë që do ta zërë popullin që po na sulmon. Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë, hardhia fryt nuk do të japë, mundi i ullirit do të zhbëhet, arat nuk do të prodhojnë ushqim, dhentë do të mungojnë nëpër vatha, e stallat nuk do të kenë qe, unë Zotit do t'i ngazëllehem, do të gëzohem me Perëndinë, shpëtimtarin tim. Zoti, Zoti im, është fuqia ime, m'i bën këmbët si të drerit, në vende të larta më bën të eci». Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Fjala e Zotit që iu drejtua Sofonisë, birit të Kushit, të birit të Gedaliahut, të birit të Amarjahut, të birit të Ezekisë, në ditët e Josisë, birit të Amonit, mbretit të Judës. «Do ta shuaj fare çdo gjë prej faqes së dheut, kumton Zoti. Do t'i shuaj njerëzit e kafshët, shpendët e qiellit e peshqit e detit, ngasësit e të paudhët. Do ta zhbij njerëzimin prej faqes së dheut, kumton Zoti. Do ta ngre dorën kundër Judës, kundër mbarë banorëve të Jerusalemit. Do t'i zhbij prej këtij vendi mbetjet e Baalit, emrat e ithtarëve bashkë me priftërinjtë e tij, ata që, mbi çati, adhurojnë ushtritë e qiellit, që adhurojnë e zotohen për Zotin, por që i zotohen edhe Malkamit. Do t'i zhbij ata që i kthyen shpinën Zotit, ata që nuk e kërkojnë Zotin dhe që prej tij nuk marrin këshillë. Hesht para Zotit, Zotit tim, se po afron dita e Zotit. Zoti ka përgatitur fli, të ftuarit i ka shenjtëruar. Në ditën e flisë së Zotit, do t'i ndëshkoj princat e bijtë e mbretit, tërë ata që vishen me petka të huaja. Atë ditë do të ndëshkoj tërë ata që kërcejnë nëpër pragje, që shtëpinë e zotërisë së vet e mbushin me dhunë e mashtrime. Atë ditë, kumton Zoti, do të dëgjohen klithma nga Porta e Peshqve, vaje nga Lagjja e Re, dhe një potere e madhe prej kodrave. Vini kujën, o banorë të Thukut, se u shkatërrua tërë populli i Kanaanit, se morën fund tregtarët e argjendit. Atë ditë, do ta zhbiroj me kandil Jerusalemin, do t'i ndëshkoj ata që u dendën mirë në llumin e tyre e që me vete thonë: “ Zoti nuk bën as mirë, as keq!”. Pasuria e tyre do të plaçkitet, shtëpitë e tyre do të rrënohen. Do të ndërtojnë shtëpi, por s'do të banojnë në to. Do të mbjellin vreshta, por s'do t'ia pinë verën. Po afron dita e madhe e Zotit, është afër e shumë po nxiton. Ushtima e ditës së Zotit është e hidhur dhe trimi klith atje. Ditë e furishme është ajo, ditë kobi e mundimesh, ditë shkatërrimi e rrënimi, ditë errësire e terri, ditë e vrenjtur sterrë, ditë trumbetash e kushtrimi, për qytetet e fortifikuara e për kullat e ngritura në çdo kënd. Do t'i mundoj njerëzit e si të verbër do të enden, se mëkatuan kundër Zotit. Do t'u derdhet gjaku si rëra, të përbrendshmet porsi jashtëqitjet. As argjendi, as ari, nuk do t'i shpëtojë dot. Mbarë toka do të përpihet, në ditën e furishme të Zotit, në zjarrin e zellit të tij. Befas do t'u japë fund, mbarë banorëve të tokës». «Eja, mblidhu, o popull i pacipë, para se të merret vendimi e dita të firojë porsi byku, para se t'ju përcëllojë zemërimi i Zotit, para se të vijë dita e zemërimit të Zotit. Kërkojeni Zotin, të gjithë ju të përvuajturit e tokës, ju që mbani urdhërimet e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë, ndoshta do të gjeni strehë ku të fshiheni, në ditën e zemërimit të Zotit. Gaza do të jetë e shkretë, Ashkeloni do të rrënohet, Ashdodi do të zbohet në mes të ditës, Ekroni do të çrrënjoset. Mjerë banorët e bregdetit, kombi i Keretit. Fjala e Zotit është kundër teje, o Kanaan, tokë filistine, do të të zhbij e banorë s'do të kesh më. Bregdeti do të bëhet kullotë, livadh barinjsh, vathë dhensh. Do t'i përkasë tepricës së shtëpisë së Judës, që për kullota ta përdorin. Në shtëpinë e Ashkelonit, do të shtrihen në mbrëmje, se Zoti, Perëndia i tyre, do të kujtohet për ta e fatin do t'ua kthejë. E dëgjova përbuzjen e Moabit, përqeshjen e bijve të Amonit, kur e fyen popullin tim e ia kërcënuan kufijtë. Ndaj, pasha jetën time, kumton Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, Moabi do të bëhet si Sodoma, bijtë e Amonit porsi Gomorra, vend hithrash e gropë kripe, shkreti e përhershme. Tepricën e popullit tim do ta plaçkisin, të mbeturit e kombit tim do t'i pushtojnë. Ky do të jetë shpërblimi i krenarisë së tyre, se e përbuzën popullin e Zotit të ushtrive dhe u mburrën para tij. I tmerrshëm do të jetë Zoti kundër tyre. Ai do t'i mpakë gjithë perënditë e tokës. Zotin do ta adhurojë çdo komb e ishull, secili në vendin e vet. Edhe ti, o Kush, prej shpatës sime do të theresh. Ai do ta ngrejë dorën kundër veriut, Asirinë do ta zhbijë. Ninivën do ta bëjë djerrinë, të thatë porsi shkretëtirë. Kopetë e çdo lloji, në mes të saj do të shtrihen. Në krythat e saj do të zënë vend huta dhe iriqi. Do të kuisë bufi në dritare, korbi në prag të derës, se u hoq veshja prej cedri. Ky është qyteti ngazëllues që banonte i sigurt e me vete thoshte: “Unë, e tjetër s'ka!”. Po si ndodhi që u shkretove e strofull bishash u bëre? Kushdo që kah ti kalon, fërshëllen e bën gjeste me duar». «Mjerë qyteti i ndyrë, kryengritës e shtypës. Askënd nuk dëgjon e qortim nuk pranon. Në Zotin s'ka besim, Perëndisë së vet nuk iu afrua. Princat mes tij ulërijnë porsi luanët. Gjyqtarët e tij si dhelprat e mbrëmjes, s'lënë gjë për mëngjes. Profetët e tij kokëkrisur, njerëz dinakë janë ata. Priftërinjtë e tij ndyjnë shenjtëroren, ligjin dhunojnë. Por, Zoti, mes tij, është i drejtë e nuk bën padrejtësi. Mëngjes për mëngjes nxjerr në dritë gjykimin e tij e kurrë nuk do të mungojë, por i mbrapshti nuk ka turp! I zhbiva kombet, pirgjet e tyre u rrënuan. I shkretova udhët e tyre, askush s'kalon më në to. I rrafshova qytetet e tyre, askush s'banon më në to. Thashë: “Tani, vërtet, do të më druash, qortimin do ta pranosh, që banesa jote të mos zhbihet, siç urdhërova kundër teje”. Por, ja, shpejt u shthurën në çdo gjë që bëjnë. Ndaj, pritmëni, kumton Zoti, pritni ditën kur të ngrihem si paditës. Vendosa t'i mbledh kombet tok, mbretëritë t'i bëj bashkë, që të derdh mbi ta zemërimin tim, tërë hidhërimin tim të flaktë, se në zjarrin e zellit tim mbarë toka do të përpihet. Atëherë do t'ua pastroj buzët popujve, që të gjithë të thërrasin emrin e Zotit e t'i shërbejnë atij njëzëri. Përtej lumenjve të Kushit, adhuruesit e mi, bijat e atyre që degdisa, kushtime do të më sjellin. Atë ditë s'do të turpërohesh për veprat që bëre, kur ngrite krye kundër meje, se do t'i heq mburravecët e të krekosurit prej teje e ti s'do të krenohesh më në malin tim të shenjtë. Një popull të përvuajtur e të varfër, do të lë mes teje. Në emrin e Zotit do të gjejnë strehë. Të mbeturit e Izraelit s'do të bëjnë padrejtësi, s'do të thonë gënjeshtra, gjuhë mashtruese nuk do të ketë mes tyre. Do të kullotin e mrizojnë, askush nuk do t'i shqetësojë! Këndo, o bija e Sionit, brohorit, o Izrael, gëzohu e ngazëllehu me gjithë zemër, o bija e Jerusalemit. Zoti e hoqi dënimin tënd, armiqtë e tu i largoi. Zoti, mbreti i Izraelit, është mes teje, s'do t'i trembesh më ligësisë. Atë ditë do t'i thuhet Jerusalemit: “Mos ki frikë, o Sion, dora mos t'u dridhtë!”. Zoti, Perëndia yt, është mes teje, trim shpëtimtar. Me ty do të gëzohet plot hare, do të qetësohet prej dashurisë, do të brohorasë e këndojë për ty, porsi në ditë feste. Do ta heq prej teje fatkeqësinë, që të mos përçmohesh më. Ja, atë ditë do të merrem me tërë shtypësit e tu. Të çalin do ta shpëtoj, të zbuarin do ta kthej. Do t'u jap lavdi dhe emër në çdo vend ku u poshtëruan. Atë ditë do t'ju kthej, në atë kohë do t'ju mbledh tok. Do t'ju jap lavdi dhe emër mes mbarë popujve të dheut, kur fatin t'jua kthej para syve, thotë Zoti ». Në ditën e parë të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar, fjala e Zotit iu drejtua, me anë të profetit Haga Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës dhe kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ky popull thotë se s'ka ardhur ende koha për të ndërtuar shtëpinë e Zotit ». Fjala e Zotit erdhi me anë të profetit Haga: «Paska ardhur koha që ju të banoni në shtëpi të mbuluara! Ndërkohë kjo shtëpi mbetet e rrënuar! Ndaj, kështu thotë Zoti i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Mbillni shumë, por korrni pak, hani, por nuk ngiheni, pini, por nuk ngopeni, visheni, por askush s'ka ngrohtë dhe mëditësit i shkon paga në qese të shpuar. Kështu thotë Zoti i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtoni shtëpinë, që të kënaqem e të përlëvdohem, thotë Zoti. Deshët shumë, por ja që morët pak e kur e sollët në shtëpi, ua prisha. Përse? Kumton Zoti i ushtrive. Sepse shtëpia ime është e rrënuar, ndërkohë secili ngutet për shtëpinë e vet. Ndaj, qielli vesë nuk dha, as toka frytin e vet. Thirra thatësirën përmbi tokë e male, përmbi drithë, verë e vaj, përmbi çdo fryt që del prej dheut, përmbi njerëz, kafshë e çdo mundi duarsh». Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe kryeprifti Jozueh, biri i Jehocadakut, bashkë me tërë tepricën e popullit e dëgjuan zërin e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Haga, që e kishte dërguar Zoti, Perëndia i tyre. Populli e pati frikë Zotin. Atëherë Hagai, lajmëtari i Zotit, i dha popullit lajmin e Zotit: «Unë jam me ju, kumton Zoti ». Zoti e nxiti shpirtin e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës, shpirtin e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut dhe shpirtin e tërë tepricës së popullit. Ata erdhën e filluan punën për shtëpinë e Zotit të ushtrive, Perëndisë së tyre, në ditën e njëzet të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar. Në ditën e njëzet e një të muajit të shtatë fjala e Zotit erdhi me anë të profetit Haga: «Fol me Zorobabelin, birin e Shealtielit, qeveritarin e Judës, me kryepriftin Jozueh, birin e Jehocadakut e me tepricën e popullit: “Kush prej jush e ka parë lavdinë e mëparshme të kësaj shtëpie? A e shihni në ç'gjendje është tani? A s'ju duket sikurse të mos ishte fare? Por tani merr zemër, o Zorobabel, kumton Zoti; merr zemër, o kryeprift Jozueh, biri i Jehocadakut; merr zemër, o tërë populli i tokës, kumton Zoti, dhe vijuni punës, sepse unë jam me ju, kumton Zoti i ushtrive, siç ju premtova kur dolët nga Egjipti. Shpirti im është mes jush, mos kini frikë! Kështu thotë Zoti i ushtrive: pas pak do ta trondis edhe një herë qiellin e tokën, detin e dheun e thatë. Do t'i trondis mbarë kombet dhe mbarë visaret e tyre do të mbërrijnë këtu. Do ta mbush këtë shtëpi me lavdi, thotë Zoti i ushtrive. Mua më përket argjendi e ari, kumton Zoti i ushtrive. Lavdia e kësaj shtëpie do të jetë edhe më e lavdishme se ajo e së mëparshmes, thotë Zoti i ushtrive. Në këtë vend do të vendos paqe, kumton Zoti i ushtrive”». Në ditën e njëzet e katërt të muajit të nëntë të vitit të dytë të Darit, erdhi fjala e Zotit me anë të profetit Haga: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: pyeti priftërinjtë se ç'thotë ligji për këtë: nëse dikush mbart me cepin e rrobës mish të shenjtëruar e pastaj rroba prek bukën, gjellën, verën, vajin dhe tërë ushqimet, a do të bëhen edhe këto të shenjta?». Priftërinjtë u përgjigjën: «Jo!». Hagai u përgjigj: «Po nëse i prek një i papastër, a do të bëhen të gjitha këto të papastra?». Priftërinjtë u përgjigjën: «Po, do të bëhen të papastra». Atëherë Hagai tha: «Kështu është edhe ky popull e ky komb para meje, kumton Zoti. E tillë është çdo vepër e duarve të tyre dhe çfarëdo që kushtojnë këtu është e papastër. Prandaj, mendohuni mirë që sot e tutje. Para se të vihej ndonjë gur në tempullin e Zotit, lëmi që prisje të kishte njëzet masa grurë nxirrte dhjetë dhe torku që prisje të prodhonte pesëdhjetë masa verë, nxirrte vetëm njëzet. Ju godita me urth, vrug e breshër, ju godita çdo vepër të duarve tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë, kumton Zoti. Mendohuni mirë që sot e tutje, që prej ditës së njëzetekatërt të muajit të nëntë, që prej ditës kur u hodhën themelet e tempullit të Zotit; mendohuni mirë! A ka mbetur ndonjë farë në grunar? As vreshti, as fiku, as shega e as ulliri nuk dhanë frute, por, që sot, do të të bekoj». Fjala e Zotit iu drejtua sërish Hagait në ditën e njëzetekatërt të muajit: «Thuaji Zorobabelit, qeveritarit të Judës: “Unë do ta trand qiellin e tokën. Do t'i përmbys fronet e mbretërive, do ta shkatërroj fuqinë e mbretërive të kombeve, do t'i rrëzoj karrocat e kalorësit e tyre. Ata do të bien prej shpatës së njëri-tjetrit. Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do të të marr, o Zorobabel, shërbëtori im, biri i Shealtielit, kumton Zoti, e do të të vë si një unazë, sepse ty të kam zgjedhur, kumton Zoti i ushtrive”». Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Zakari, birit të Berekjahut, të birit të Idoit: « Zoti u zemërua shumë me etërit tuaj, prandaj thuaju: kështu thotë Zoti i ushtrive, kthehuni tek unë, kumton Zoti i ushtrive, e unë do të kthehem te ju, thotë Zoti i ushtrive. Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e mëparshëm u patën thënë: “Kështu thotë Zoti i ushtrive, kthehuni, pra, nga udhët e nga veprat tuaja të liga!”, por ata nuk dëgjuan e nuk më përfillën, kumton Zoti. Ku janë etërit tuaj tani? Po profetët, a jetojnë përgjithmonë? Por, a nuk u dolën etërve tuaj fjalët dhe urdhërimet që unë ua pata dhënë profetëve, shërbëtorëve të mi? Kështu, ata u kthyen e thanë: “ Zoti i ushtrive vërtet veproi me ne ashtu siç kishte vendosur të bënte për shkak të udhëve e veprave tona”». Në ditën e njëzetekatërt të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shevatit, të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Zakari, birit të Berekjahut, të birit të Idoit. Gjatë natës pashë një njeri duke kalëruar mbi një kalë të kuq. Ai qëndronte ndër mërsina, në luginë. Prapa tij ishin disa kuaj të kuq, të kuqërremë e të bardhë. E unë thashë: «Çfarë janë këta, imzot?». Engjëlli që po më fliste më tha: «Do të t'i tregoj unë se ç'janë». Njeriu, që po qëndronte ndër mërsina, tha: «Këta janë ata që Zoti ka dërguar për të përshkuar tokën». Ata i thanë engjëllit të Zotit, që qëndronte ndër mërsina: «E përshkuam tokën e, ja, mbarë toka banon e qetë». Atëherë engjëlli i Zotit u përgjigj: «O Zoti i ushtrive, edhe për sa kohë s'do të kesh mëshirë për Jerusalemin e për qytetet e Judës, kundër të cilëve e shfreve zemërimin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve?». Zoti iu përgjigj me fjalë të mira e ngushëlluese engjëllit që po fliste me mua. Engjëlli që po më fliste më tha: «Shpall e thuaj: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: jam plot xhelozi për Jerusalemin e Sionin. Jam shumë i zemëruar me kombet moskokëçarëse. Unë isha i zemëruar vetëm pak, por ata u sollën edhe më keq. Prandaj, kështu thotë Zoti: u ktheva drejt Jerusalemit me dhembshuri. Shtëpia ime do të ndërtohet atje, kumton Zoti i ushtrive. Litari matës do të fillojë të përdoret në Jerusalem”. Shpall sërish: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: sërish qytetet e mia do të mbushen me të mira. Sërish Zoti do të ketë mëshirë për Sionin dhe sërish do ta përzgjedhë Jerusalemin”». I ngrita sytë e, ja, pashë katër brirë. Atëherë i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Çfarë janë këta?». Ai më tha: «Këta janë brirët që shkapërdanë Judën, Izraelin e Jerusalemin». Pastaj Zoti më dëftoi katër farkëtarë. Atëherë thashë: «Çfarë erdhën të bëjnë këta?». Ai më tha: «Brirët janë ata që shkapërdanë Judën, aq sa nuk kishte njeri të ngrinte kryet, ndërsa farkëtarët kanë ardhur që t'i tmerrojnë e t'i thyejnë brirët e kombeve, të cilët u ngritën kundër tokës së Judës për ta shkapërdarë». Ngrita sytë e, ja, pashë një njeri me konop në dorë dhe e pyeta: «Ku po shkon?». Ai më tha: «Të mas Jerusalemin, për të parë sesa i gjatë e i gjerë është». Atëherë doli engjëlli që po fliste me mua dhe një engjëll tjetër shkoi për ta takuar. Ai i tha: «Nxito t'i thuash këtij djaloshi: “Jerusalemi do të jetë qytet pa mure për shkak të numrit të madh të njerëzve e kafshëve që do të banojnë në të. Dhe unë do të jem për të, kumton Zoti, një mur i zjarrtë rreth tij, lavdi mes tij”». «Ikni, ikni nga vendi i veriut, kumton Zoti, se ju kisha shpërndarë nëpër katër anët e dheut, kumton Zoti. Ik e shpëto, o Sion, ti që banon te bija e Babilonisë. Kështu u thotë kombeve që ju plaçkitën Zoti i ushtrive, lavdia e të cilit më dërgoi: “Kush ju prek, ka prekur beben e syrit tim. Ja, po e ngre dorën kundër tyre që të bëhen pre e vetë skllevërve. Kështu do ta dini se më ka dërguar Zoti i ushtrive”. “Brohorit e ngazëllohu, o bija e Sionit, se ja do të vij e do të banoj mes jush, kumton Zoti. Atë ditë shumë kombe do të mbështeten te Zoti, ata do të bëhen populli i tij e ai do të banojë mes jush. Kështu do ta dini se Zoti i ushtrive më dërgoi te ju. Atëherë Zoti do ta bëjë Judën pronë të vetën në tokën e shenjtë dhe Jerusalemin do ta zgjedhë sërish. Heshtni para Zotit, tërë ju krijesa, se ai u çua nga banesa e tij e shenjtë!”». Atëherë më dëftoi kryepriftin Jozueh. Ai po qëndronte para engjëllit të Zotit e në të djathtë kishte Satanin që po e padiste. Engjëlli i tha Satanit: « Zoti të qortoftë, o Satan! Të qortoftë Zoti, ai që ka zgjedhur Jerusalemin! A nuk është ky si kërcuri që i shpëtoi zjarrit?». Ndërkohë Jozuehu po qëndronte para engjëllit, i veshur me rroba të fëlliqura. Engjëlli u tha atyre që po qëndronin para tij: «Hiqjani rrobat e fëlliqura!». Pastaj i tha Jozuehut: «Ja, ta hoqa fajin e po të vesh me rroba të denja». Ai tha: «Vërini mbi krye një fes të pastër». Ata i vunë mbi krye një fes të pastër dhe e veshën, ndërkohë që engjëlli i Zotit po qëndronte më këmbë. Atëherë engjëlli i Zotit e porositi Jozuehun: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Nëse ecën udhës sime e i mban urdhërimet e mia, do të gjykosh shtëpinë time e do të kujdesesh për oborrin tim. Do të të lejoj të shkosh e të vish mes këtyre që po qëndrojnë këtu. Dëgjo, o kryeprifti Jozueh, ti dhe bashkëpunëtorët e tu që qëndrojnë para teje, se ju jeni oguri që unë po sjell shërbëtorin tim, pinjollin. Ja, guri që vendosa para Jozuehut, një gur i vetëm me shtatë faqe. Ja, mbi të do ta skalit mbishkrimin, kumton Zoti i ushtrive, e do ta heq brenda ditës fajin e kësaj toke. Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do ta ftoni njëri-tjetrin nën hijen e hardhisë e të fikut”». Atëherë engjëlli që po fliste me mua u kthye e më zgjoi siç zgjohet dikush nga gjumi. Dhe më tha: «Çfarë sheh?». Unë i thashë: «Ja, po shoh një shandan krejt të artë. Në majë ka një kupë me shtatë llamba e të shtatë llambat kanë në majë nga shtatë buzë. Pranë gjenden dy pemë ulliri, njëra në të djathë të kupës, tjetra në të majtë». Pastaj i thashë engjëllit që po më fliste: «Çfarë janë këto, imzot?». Ai m'u përgjigj: «A nuk e ditke se ç'janë këto?». Unë thashë: «Jo, imzot!». Ai m'u përgjigj: «Ja fjala e Zotit për Zorobabelin: “Jo me fuqi e as me forcë, por me shpirtin tim, thotë Zoti i ushtrive. Kush je ti, o mal i madh? Rrafsh do të bëhesh para Zorobabelit! Ai do ta nxjerrë gurin e qoshes me brohoritjen: ‘Sa i hijshëm! Sa i hijshëm!’”». Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua: «Duart e Zorobabelit do të hedhin themelet e kësaj shtëpie dhe po duart e tij do ta përfundojnë. Kështu do ta dini se Zoti i ushtrive më dërgoi te ju. Kushdo që e përbuzi ditën e punëve të vogla do të gëzohet kur të shohë plumbçin në dorën e Zorobabelit. Këto shtatë llamba janë shtatë sytë e Zotit që e përshkojnë mbarë tokën». Unë iu përgjigja: «Po këto dy pemët e ullirit në të djathë e në të majtë të shandanit çfarë janë?». Dhe e pyeta për së dyti: «Çfarë janë këto dy degë ulliri që përmes dy gypave të artë derdhin lëngun e tyre të artë?». Ai më tha: «A nuk e ditke se ç'janë këto?». Unë thashë: «Jo, imzot!». Ai tha: «Këta janë dy të vajosurit që qëndrojnë para Zotit të mbarë tokës». Atëherë ngrita sytë sërish e, ja, pashë një rrotull që po fluturonte. Ai më pyeti: «Çfarë sheh?». Unë i thashë: «Shoh një rrotull që po fluturon. Është njëzet kute e gjatë e dhjetë kute e gjerë». Ai më tha: «Ky është mallkimi që do të përhapet mbi tërë faqen e dheut, sepse sipas njërës anë të rrotullës, kushdo që vjedh do të spastrohet dhe sipas anës tjetër të rrotullës, kushdo që bën be do të spastrohet. E dërgova, kumton Zoti i ushtrive, që të shkojë në shtëpinë e atij që vjedh dhe të atij që betohet rrejshëm në emrin tim. Do të zërë vend në shtëpinë e tyre e do të shkatërrojë çdo gurë e tra». Engjëlli që po fliste me mua doli e më tha: «Ngriji sytë e shiko! Çfarë sheh?». Unë thashë: «Çfarë është?». Ai më tha: «Kjo që po del është një kanistër. Ajo Shëmbëllen fajet e tyre në mbarë tokën». E, ja, kur u ngrit kapaku, u duk një grua që po rrinte brenda kanistrës. Pastaj tha: «Kjo është ligësia. E hodhi brenda në kanistër dhe i vuri sipër kapakun e rëndë». Pastaj i ngrita sytë e, ja, pashë dy gra me krahë si të skifterit që vërshuan fluturimthi. Ato e ngritën kanistrën lart mes qiellit e tokës. Unë i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Ku po e çojnë kanistrën?». Ai më tha: «Te toka e Shinarit, që të ndërtojnë një shtëpi për të. Atje do t'ia ngrenë vendbanimin kur të ndërtohet». Ngrita sërish sytë e, ja, pashë katër karroca që po dilnin mes dy malesh. Malet ishin prej bronzi. Kuajt e karrocës së parë ishin të kuq, ata të karrocës së dytë të zinj, të karrocës së tretë të bardhë e të karrocës së katërt laramanë. Kuajt ishin të fuqishëm. Atëherë i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Çfarë janë këto, imzot?». Engjëlli m'u përgjigj: «Këto janë katër erërat e qiellit, që dalin pasi paraqiten para Zotit të mbarë tokës». Karroca me kuaj të zinj u nis drejt veriut, ajo me kuaj të bardhë u nis më pas dhe ajo me kuaj laramanë u nis drejt jugut. Kuajt turfullonin e mezi pritnin të përshkonin tokën. Ai u tha: «Shkoni e bjerini tokës kryq e tërthor!». Kështu, ata dolën dhe përshkuan tokën. Ai më thirri e më tha: «Shih, ata që dolën drejt veriut i kanë dhënë prehje shpirtit tim në tokën e veriut». Fjala e Zotit m'u drejtua: «Merri dhuratat e të mërguarve, prej Heldait, prej Tobisë e prej Jedajahut, që u kthyen nga Babilonia e shko te shtëpia e Josisë, birit të Sofonisë. Merre argjendin e arin e bëj kurora. Vendose në kokën e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut e thuaji: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: ja, ai që quhet pinjoll, do të mbijë që këtu e do të ndërtojë tempullin e Zotit. Ai do ta ndërtojë tempullin e Zotit, do të ketë lavdi e do të sundojë ulur mbi fron. Në fron do të ulet edhe një prift e mes tyre do të ketë paqe”. Kurorat të rrinë në tempullin e Zotit si përkujtimore në nder të Helemit, Tobisë, Jedajahut e Henit, birit të Sofonisë. Edhe nga larg do të vijnë njerëz për të ndërtuar tempullin e Zotit. Kështu do ta dini që Zotit i ushtrive më dërgoi te ju. Kjo gjë ka për të ndodhur nëse me të vërtetë e dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj». Fjala e Zotit iu drejtua Zakarisë në vitin e katërt të mbretit Dar, në ditën e katërt të muajit të nëntë që quhet Kislev. Beteli kishte dërguar Sarecerin e Regem Melekun bashkë me shpurën e tij, që t'i përgjëroheshin Zotit e të pyesnin priftërinjtë që ishin në shtëpinë e Zotit të ushtrive dhe profetët: «A të mbaj zi e të agjëroj në muajin e pestë siç kam bërë ngaherë këto vite?». Atëherë fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua: «Thuaji mbarë popullit të vendit e priftërinjve: “Kur agjëruat e vajtuat në muajin e pestë e të shtatë, gjatë këtyre shtatë viteve, a me të vërtetë për mua e bëtë? Po kur hani e pini, a nuk e bëni për veten tuaj? A nuk thoshte Zoti të njëjtat fjalë përmes profetëve të mëparshëm, kur Jerusalemi ishte ende i banuar e në paqe me qytetet përreth, kur Negevi e Shefelahu ishin të banuara?”». Fjala e Zotit iu drejtua Zakarisë: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Gjykoni me drejtësi e sipas të vërtetës. Tregohuni të mëshirshëm e të dhembshur me njëri-tjetrin. Mos e shtypni vejushën, bonjakun, të ardhurin e të vobektin. Mos shestoni të keqen e tjetrit”. Por, ata nuk deshën t'i kushtonin vëmendje, me kokëfortësi ia kthyen shpinën e zunë veshët që të mos dëgjonin. I ngurtësuan zemrat që të mos dëgjonin ligjin e fjalët që Zoti i ushtrive kishte dërguar me shpirtin e tij përmes profetëve të mëparshëm. Dhe Zoti i ushtrive u zemërua shumë. Prandaj as unë nuk i dëgjova kur më thirrën, thotë Zoti i ushtrive, sikurse nuk më dëgjuan kur unë i thërrisja. I degdisa mes gjithë kombeve që nuk njihnin e toka mbeti e shkretë, asnjë nuk shkonte e vinte më. Kështu e kthyen tokën e këndshme në shkretinë». Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Jam plot zell për Sionin. Më djeg zelli për të”. Kështu thotë Zoti: “Po kthehem në Sion e mes Jerusalemit do të banoj. Jerusalemi do të quhet qyteti Besnik, mali i Zotit të ushtrive, mali i Shenjtë!”. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sheshet e Jerusalemit do të kenë sërish pleq e plaka, secili me shkop në dorë për shkak të moshës së thyer. Sheshet e qytetit do të mbushen me djem e vajza që lodrojnë nëpër rrugë”. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sado e pamundur të duket në sytë e tepricës së popullit në ato ditë, nuk do të jetë e pamundur për mua, kumton Zoti i ushtrive”. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ja, po e shpëtoj popullin tim nga toka e lindjes e nga toka ku perëndon dielli. Do t'i kthej të banojnë në Jerusalem. Ata do të jenë populli im e unë Perëndia i tyre, në drejtësi e në të vërtetë”. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Jepuni duarve, o ju që i dëgjuat këto kohë fjalët e profetëve, të cilët folën kur u hodh themeli i shtëpisë së Zotit të ushtrive, që të rindërtoni tempullin. Se para kësaj kohe nuk kishte shpërblim as për punën e njeriut e as për mundin e kafshës, nuk kishte paqe prej armikut për këdo që shkonte e vinte, se unë ju vija kundër njëri-tjetrit. Por, tani nuk do të sillem si më parë me tepricën e këtij populli, kumton Zoti i ushtrive. Fara e paqes do të mbillet, hardhia do të japë fryt, toka do të prodhojë e qielli shiun do ta derdhë. Të gjitha këto do t'ia jap për pjesë tepricës së këtij populli. Sikurse u bëtë mallkim mes kombeve, o shtëpia e Judës e shtëpia e Izraelit, po kështu do të shndërroheni në bekim mes tyre, kur unë t'ju shpëtoj. Mos kini, pra, frikë e merrni zemër!”. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sikurse vendosa t'ju ndëshkoja për shkak se u zemërova me etërit tuaj, thotë Zoti i ushtrive, e nuk tregova mëshirë, po kështu u ktheva këto ditë për t'i sjellë mirësi Jerusalemit e shtëpisë së Judës, ndaj mos kini frikë. Këto janë gjërat që duhet të bëni: i thoni të vërtetën njëri-tjetrit e tregohuni plotësisht të drejtë kur të bëni gjyq nëpër kuvende. Askush të mos shestojë të keqen e tjetrit. Mos u jepni pas zotimeve të rreme, se i urrej të gjitha këto, kumton Zoti ”». Atëherë fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Agjërimi i muajit të katërt, i muajit të pestë, i muajit të shtatë e i muajit të dhjetë do të kthehet në ditë gëzimi, feste e kremtimi për shtëpinë e Judës, ndaj duajeni të vërtetën e paqen!”. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Do të vijnë edhe popuj të tjerë e banorë të shumë qyteteve”. Banorët e njërit qytet do t'u thonë të tjerëve: “Ejani të shkojmë t'i përgjërohemi Zotit e të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj!”. Kështu do të vijnë në Jerusalem shumë popuj e kombe të fuqishme për ta kërkuar Zotin e ushtrive e për t'iu përgjëruar. Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ato ditë dhjetë vetë nga kombe e gjuhë të ndryshme do të kapen pas fundit të rrobës së një judeu e do t'i thonë: na lër të vijmë me ty, se dëgjuam që Perëndia është me ju!”». Profeci: «Fjala e Zotit është në tokën e Hadrakut, në Damask ajo gjen vend, se drejt Zotit vështron njerëzia dhe tërë fiset e Izraelit. Edhe Hamati në kufi me të, Tiri e Sidoni, se të urtë janë shumë. Ndërtoi Tiri për vete fortesë, argjend mblodhi, si të ishte pluhur, ar, si baltë nëpër rrugë. Por, Zoti do ta shpronësojë, pasurinë në det do t'ia tretë, e zjarri atë do ta përpijë. Do ta shohë Ashkeloni e do të trembet, Gazën do ta kapin të dridhurat, Ekronin do ta lërë fuqia në baltë. Mbreti i Gazës do të marrë fund, pa banorë do të mbesë Ashkeloni. Kopila do të banojnë në Ashdod e krenarinë e filistinëve unë do ta zhbij. Do t'jua heq gjakun prej gojës, ndyrësinë prej dhëmbëve. Dhe ai që shpëton, Perëndisë tonë do t'i përkasë, do të bëhet si prijës në Judë. Ekroni do të jetë si jebusitët. Do të ngre fushimin për shtëpinë time, si rojtari që ruan këdo që shkon e vjen, që shtypësin të mos e lërë të kalojë, se me sytë e mi tani i pashë. Ngazëllohu fort, o bija e Sionit, brohorit, o bija e Jerusalemit, se ja, mbreti yt, po vjen. I drejtë e ngadhënjimtar është ai, i përvuajtur, hipur mbi gomar, mbi kërriçin e një gomarice. Nga Efraimi do të zhdukë koçinë, kalin nga Jerusalemi. Harku i luftës do të thyhet, fjalë paqeje kombeve do t'u çojë, sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det. Sa për ty, në saje të gjakut të besëlidhjes sate, do t'i nxjerr të burgosurit prej puseve pa ujë. Kthehuni në fortesë, ju të burgosurit shpresëtarë, sot po e shpall se dyfish do të ta shpërblej. Judën do ta ndeh si harkun, Efraimin do ta vë porsi shtizë. Do t'i nguc bijtë e tu, o Sion, kundër bijve të tu, o Javan, si shpatën e trimit do të të bëj. Zoti do të shfaqet mbi ta, shigjetën e vet do ta vetëtijë. Zoti, Zoti im, borinë do ta buçasë, përmes furtunës ai do të marshojë. Zoti i ushtrive do t'i mbrojë, e gurëhedhësit do t'i përpijnë, ata do t'i nënshtrojnë. Do të pinë e tërbohen si prej verës, mbushur plot si kovat e flijimit, porsi brirët e altarit. Atë ditë do t'i shpëtojë, Zoti, Perëndia i tyre, se janë tufa e popullit të tij. Porsi gurët e çmuar të kurorës do të vezullojnë në tokën e tij. Ç'bukuri, ç'hijeshi! gruri i rrit djelmoshat, vera i përtërin vashat». « Zotit kërkojani shiun në kohën e shirave të vona, se Zoti është ai që bën të gjëmojë. Shiun e begatë ai do t'jua japë dhe arat e secilit do të blerojnë. Por idhujt flasin ligësi, shortarët mashtrojnë me vegime, ëndërrimtarët flasin kotësi, të rreme ngushëllimet e tyre. Ndaj dhe populli endet si bagëtia, vuajnë se s'kanë bari. Kundër barinjve ndizet zemërimi im, prijësit e kopesë gjykimi im do t'i zërë, se Zoti i ushtrive kujdeset për kopenë e tij, shtëpinë e Judës, e si kalin e vet të lavdishëm lufte do ta bëjë. Prej Judës do të dalë guri i këndit, prej tij, kunji e tendës, prej tij, harku i luftës, prej tij, të gjithë prijësit. Së bashku ata do të jenë si trima që baltën me këmbë në luftë shkelin. Do të luftojnë, se Zoti do të jetë me ta, kalorësit ata do t'i turpërojnë. Ngadhënjim do t'i jap shtëpisë së Judës, shtëpinë e Jozefit do ta shpëtoj. Do t'i përtërij, se do të kem mëshirë për ta, do të jenë si të mos i kisha mohuar kurrë, se unë jam Zoti, Perëndia i tyre, e atyre do t'u përgjigjem. Efraimët do të jenë si luftëtarë, zemra do t'u gëzohet si prej verës. Fëmijët do t'i shohin e do të ngazëllehen, në Zotin do të galdojë zemra e tyre. Do të fërshëllej e do t'i mbledh, se i shpagova, do të bëhen të shumtë si më parë. I shpërndava nëpër popuj, por prej vendeve të largëta do të më kujtojnë. Bashkë me fëmijët do të rrojnë e do të kthehen. Do t'i kthej prej tokës së Egjiptit, nga Asiria do t'i mbledh e do t'i sjell në tokën e Gileadit e të Libanit, sa s'do të kenë më vend. Do të kalojë Zoti përmes detit të trazuar, dallgët do t'i godasë e thellësinë e ujërave ai do ta thajë. Do të përulet krenaria e Asirisë, skeptri i Egjiptit do të hidhet tej. Do t'i bëjë të fortë në Zotin, në emrin e tij ata do të ecin para, kumton Zoti ». «Hapi dyert, o Liban, që zjarri të t'i përpijë cedrat. Vajto, o qiparis, se cedri ra, pemën e lavdishme e cunguan. Vajtoni, o lisat e Bashanit, se pylli i dendur u rrafshua. Dëgjohen vajet e barinjve, se u shkretua madhështia e tyre. Dëgjohen ulërimat e luanthëve, se u rrënua lavdia e Jordanit». Kështu thotë Zoti, Perëndia im: «Kulloti dhentë që janë për therore, ato që blerësi i ther pa të keq, për të cilat shitësi lavdëron Zotin, se prej tyre pasurohet e barinjve s'u dhimbsen. Se unë nuk do të kem mëshirë për banorët e këtij vendi, kumton Zoti. Ja, unë po e dorëzoj secilin në dorën e të afërtit të vet e të mbretit të tyre. Ata do ta shkretojnë tokën e unë nuk do t'i shpëtoj prej dorës së tyre». Atëherë unë fillova t'i kullot dhentë që ishin caktuar për therore nga tregtarët e bagëtisë. Mora dy kërraba. Njërën e quajta Dashamirësi, tjetrën Bashkim e kështu fillova t'i kullot. Brenda muajit hoqa tre barinj. M'u sos durimi me ta e ata më mbajtën mëri. Atëherë u thashë: «Nuk do t'i kullot më. Kush ka për të ngordhur le të ngordhë, kush ka për t'u therur le të theret, e ato që mbesin, të hanë me dhëmbë njëra-tjetrën». E mora pastaj kërrabën që quhej Dashamirësi dhe e theva, për ta zhbërë besëlidhjen që kisha lidhur me të gjithë njerëzit. Besëlidhja u zhbë po atë ditë e tregtarët e bagëtisë, që po më shihnin, e kuptuan se kjo fjalë ishte nga Zoti. Pastaj u thashë: «Nëse ju duket mirë, ma jepni pagën, në mos, mbajeni». Ata caktuan të më paguanin tridhjetë monedha argjendi. Zoti më tha: «Hidhi monedhat te poçari ». I mora tridhjetë monedhat e argjendit, mëditjen e çmueshme, me të cilën më kishin paguar, e i hodha në tempullin e Zotit, te poçari. Atëherë e theva kërrabën e dytë, që quhej Bashkim, për ta prishur vëllazërinë mes shtëpisë së Judës e asaj të Izraelit. Zoti më tha: «Merri sërish mjetet e bariut të marrë, se, ja, unë po dërgoj në vend një bari që për mjeranet nuk do të kujdeset, të humburën nuk do ta kërkojë, të lënduarën nuk do ta mjekojë e të shëndetshmen nuk do ta ushqejë; një bari që do të hajë mishin e bagëtive të majme e do të shqyejë thundrat e tyre. Mjerë bariu i marrë, braktisësi i kopeve. Shpata ia preftë krahun e syrin e djathtë. Iu thaftë krahu deri në rrëzë e syrit të djathtë drita iu fiktë!». Profeci Fjala e Zotit për Izraelin. Kumton Zoti, ai që qiellin shtriu, tokën themeloi e shpirtin e njeriut brenda tij formoi. «Ja, po e bëj Jerusalemin si një kupë dehëse për të gjithë popujt përreth. Edhe Juda do të rrethohet, kur Jerusalemi të sulmohet. Atë ditë, do ta bëj Jerusalemin si një peshë që gjithë kombet do të mbartin. Kushdo që e mbart do të lëndohet rëndë e të gjithë popujt e tokës do të mblidhen përreth tij. Atë ditë, kumton Zoti, do t'i hutoj kuajt e kalorësit do t'i shastis. Do t'i hedh sytë nga shtëpia e Judës, ndërsa tërë kuajt e popujve do t'i verboj. Atëherë krerët e Judës do të thonë me vete: “Forca e banorëve të Jerusalemit gjendet në Zotin e ushtrive, Perëndinë e tyre”. Atë ditë, do t'i bëj krerët e Judës si poçja e zjarrit në mes të pyllit, porsi pishtari i zjarrtë në mes të drithit. Do t'i përpijnë sa majtas e djathtas të gjithë popujt përreth, ndërsa Jerusalemi do të mbesë në vendin e vet, në Jerusalem. Zoti do të shpëtojë në fillim tendat e Judës, që banorët e Jerusalemit të mos krenohen e të mos lavdërohen përmbi Judë. Atë ditë Zoti do t'i mbrojë banorët e Jerusalemit. Më i dobëti prej tyre do të jetë porsi Davidi dhe shtëpia e Davidit si Perëndi, porsi engjëlli i Zotit që u paraprin. Atë ditë do t'u vihem të gjitha kombeve që dolën kundër Jerusalemit, që t'i shkatërroj. Do te derdh mbi shtëpinë e Davidit e mbi banorët e Jerusalemit shpirtin e dhembshurisë e të përgjërimit, që, kur të vështrojnë nga ai që shporuan, të vënë kujën si për birin e tyre të vetëm dhe të vajtojnë si për të parëlindurin e tyre. Atë ditë gjëma në Jerusalem do të jetë po aq e madhe sa gjëma e Hadadrimonit, në fushën e Megidosë. Toka do të vajtojë, çdo familje më vete; familja e shtëpisë së Davidit e gratë e tyre më vete, familja e shtëpisë së Natanit e gratë e tyre më vete, familja e shtëpisë së Levit e gratë e tyre më vete, familja e Shimeit e gratë e tyre më vete dhe të gjitha familjet e tjera, çdo familje e gratë e tyre më vete». «Atë ditë do të çelet një burim për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit që të pastrojnë mëkatet e papastërtitë». «Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do t'i shuaj emrat e idhujve prej tokës, që të mos kujtohen më. Do t'i zhduk nga vendi edhe profetët bashkë me shpirtin e papastër. E, në daltë ndonjë profet për të profetizuar, i ati dhe e ëma që i bënë kokën, do t'i thonë: “Mos e paç jetën e gjatë, se rrena fole në emër të Zotit ”. E atëherë i ati dhe e ëma do ta shporojnë kur të profetizojë. Atë ditë, çdo profet do të turpërohet për vegimet që shpall me profecitë e veta; nuk do ta veshë petkun e leshtë që të fshihet e do të thotë: “Unë nuk jam profet! Jam bujkrob, se më shitën që kur isha i ri”. E në e pyetshin: “Çfarë janë këto plagë në kraharor?”. Do të thotë: “U plagosa në shtëpinë e miqve”». «Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim, kundër të afërtit që kam pranë, kumton Zoti i ushtrive. Godite bariun, që delet të shpërndahen. Dorën do ta shtrij kundër vocërrakëve. Dy të tretat e mbarë tokës, kumton Zoti, do të zhbihen, do të marrin fund, vetëm një e treta do të mbijetojë. Nëpër zjarr do ta kaloj këtë të tretë, do ta pastroj siç pastrohet argjendi, do ta sprovoj siç sprovohet ari. Do ta thërrasin ata emrin tim e unë do t'u përgjigjem. Do t'u them: “Populli im” e ata do të thonë: “ Zoti, Perëndia ynë”». «Ja, po vjen një ditë për Zotin, kur plaçka e marrë prej teje do të ndahet në mesin tënd. Do t'i mbledh tërë kombet që ta sulmojnë Jerusalemin. Qyteti do të bjerë, shtëpitë do të plaçkiten, gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por pjesa tjetër nuk do zhbihet prej qytetit. Atëherë Zoti do të dalë të luftojë kundër këtyre kombeve, si në ditën e betejës. Këmbët e tij, atë ditë, do të qëndrojnë mbi malin e Ullinjve, kundruall Jerusalemit, në lindje. Dhe mali i Ullinjve do të çahet më dysh e një luginë e madhe do të shtrihet nga lindja deri në perëndim, aq sa gjysma e malit do të zhvendoset drejt veriut e gjysma tjetër drejt jugut. Do të merrni arratinë përmes luginës së maleve, se ajo do të shtrihet deri në Acal. Do të merrni arratinë siç bëtë nga tërmeti në ditën e Uziahut, mbretit të Judës, dhe Zoti, Perëndia im, do të vijë te ti bashkë me tërë të shenjtët e tij. Atë ditë nuk do të ketë dritë, veç të ftohtë e akull. Por do të vijë një ditë e veçantë, vetëm Zoti e di kur, ku s'do të ketë as ditë, as natë, se do të ketë dritë edhe në mbrëmje. Atë ditë do të burojnë prej Jerusalemit ujëra të gjalla. Gjysma e tyre do të derdhen në detin e lindjes, gjysma tjetër në detin e perëndimit. Do të burojnë verës e dimrit. Zoti do të jetë mbret i tokës. Atë ditë Zoti do të jetë i vetmi; emri i tij do të jetë i vetmi emër. Tërë toka do të shkretohet prej Gebës deri në Rimon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ndërtohet e banohet në vendin e vet, që prej portës së Benjaminit deri te porta e parë, deri te porta e këndeve, që prej kullës së Hananelit deri te torku i mbretit. Jerusalemi do të banohet, kurrë nuk do të shfaroset. I sigurt do të banojë. Kjo është plaga me të cilën Zoti do t'i godasë popujt që luftuan kundër Jerusalemit: do t'u kalbet mishi, ndërsa rrinë në këmbë, sytë brenda në zgavra e gjuha në gojë. Atë ditë do t'i pllakosë një pështjellim i madh prej Zotit, saqë do të kapen me njëri-tjetrin dhe secili do të ngrejë dorë kundër të afërtit. Deri edhe Juda do të luftojë kundër Jerusalemit. Do të grumbullohen pasuritë e gjithë popujve përreth, ar, argjend e petka me shumicë. Me një plagë të tillë do të goditen kuajt, mushkat, devetë, gomarët dhe tërë gjëja e gjallë që gjendet në këto fushime. Ata që do të shpëtojnë prej kombeve që dolën kundër Jerusalemit, do të shkojnë vit për vit për të adhuruar mbretin, Zotin e ushtrive, e për të kremtuar festën e Kasolleve. Nuk do të bjerë shi për fiset e tokës që nuk shkojnë në Jerusalem për të adhuruar mbretin, Zotin e ushtrive. E nëse fiset e Egjiptit nuk shkojnë, do t'i zërë e njëjta plagë, me të cilën Zoti dënoi ata që nuk shkuan për të kremtuar festën e Kasolleve. Ky do të jetë ndëshkimi për Egjiptin e për tërë kombet që nuk do të shkojnë për të kremtuar festën e Kasolleve. Atë ditë, mbi zilkat e kuajve do të jetë shkruar: “I shenjti i Zotit ” dhe enët e gatimit në shtëpinë e Zotit do të jenë po aq të shenjta sa enët para altarit. Çdo enë gatimi në Jerusalem e në Judë do t'i shenjtërohet Zotit të ushtrive, që kushdo që kushton fli, të mund t'i marrë për të zier flinë. Atë ditë nuk do të ketë më tregtarë në shtëpinë e Zotit të ushtrive». Shpallje! Fjala e Zotit drejtuar Izraelit nëpërmjet Malakisë. «Ju kam dashur, thotë Zoti, por ju thoni: “Si na ke dashur?”. A nuk ishte Esau vëllai i Jakobit? Kumton Zoti. Jakobin e desha, por Esaun e urreva. Malet e Esaut i shkretova, trashëgiminë e tij ua hodha çakejve të shkretëtirës. Nëse Edomi thotë: “U shpartalluam, por prapë do t'i rindërtojmë rrënojat”, Zoti i ushtrive do të thotë: “Ata do të ndërtojnë, por unë do të rrënoj. Ata do të quhen vend i lig, populli me të cilin Zoti u zemërua përjetë! Do ta shihni me sytë tuaj e do të thoni: i madh është Zoti edhe përtej kufijve të Izraelit”. Biri e nderon të atin dhe shërbëtori të zotin. Nëse unë jam atë, ku është nderi që më përket? Nëse unë jam zot, ku është droja që më përket, ju thotë Zoti i ushtrive juve, priftërinjve, që përçmoni emrin tim. Ju thoni: “Si e përçmuam emrin tënd?”. Kur sillni mbi altarin tim bukë të ndotur. Ju thoni: “Si të përdhosëm?”. Kur thoni se tryeza e Zotit është e ndyrë. Kur sillni për flijim kafshë të verbra e prapë thoni: “S'ka gjë!”. Kur sillni kafshë të çala e të sëmura e prapë thoni: “S'ka gjë!”. Sillja prijësit tënd e të shohim nëse do t'i pëlqejë, nëse do të të falë, thotë Zoti i ushtrive. Tani, pra, përgjëroju Perëndisë, që të ketë mëshirë për ty. Me këtë dhuratë në dorë, a thua nuk do të të falë, thotë Zoti i ushtrive? Më mirë t'i mbyllni fare portat e tempullit, sesa ta ndizni më kot zjarrin në altarin tim. Nuk jam i kënaqur me ju, thotë Zoti i ushtrive. Nuk i pëlqej dhuratat që vijnë prej dorës suaj. Emri im është i madh ndër kombe, që nga lind dielli e deri ku perëndon. Temjan e kushtime të pastra i kushtohen emrit tim në çdo vend, sepse i madh është emri im ndër kombe, thotë Zoti i ushtrive. Por, ju e përdhosni kur thoni: “Tryeza e Zotit është e ndyrë dhe ushqimi mbi të është i përbuzshëm”. Pastaj i shfryheni Zotit të ushtrive e thoni: “Ç'kokëçarje!”. Ju më sillni për fli kafshë të vjedhura, të çala e të sëmura. A thua do t'i pranoj prej dorës suaj, thotë Zoti? Mallkuar qoftë mashtruesi që flijon për Zotin një kafshë të metë, kur ka kafshë të patëmeta në kopenë e vet. Unë jam mbret i madhërishëm, thotë Zoti i ushtrive dhe emri im druhet ndër kombe». «Tani, ky është urdhri për ju, o priftërinj! Nëse nuk dëgjoni e nuk tregoni kujdes, për t'i dhënë lavdi emrit tim, thotë Zoti i ushtrive, do të çoj mallkim mes jush. Do t'i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t'i mallkoj, se nuk treguat kujdes. Ja, për faj tuaj do t'i qortoj pasardhësit tuaj. Do t'jua hedh në fytyrë jashtëqitjen, rropullitë e flive të festave tuaja dhe do të hiqeni tej bashkë me to. Pranojeni, pra, këtë urdhër, që besëlidhja ime me Levin të mbetet, thotë Zoti i ushtrive. Besëlidhja ime me të ishte për paqe e jetë, të cilat unë ia dhashë. Ishte besëlidhje për të më druajtur e ai pati drojë. Ai e nderoi emrin tim. Mësimi i vërtetë ishte në gojën e tij, nuk gjendej padrejtësi në buzët e tij. Eci me mua në paqe e drejtësi dhe ktheu shumë vetë prej paudhësisë. Buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë, njerëzit mësojnë udhëzime prej gojës së tij, sepse ai është lajmëtari i Zotit të ushtrive. Por, ju e latë udhën dhe penguat shumë vetë me mësimet që dhatë. E shkelët besëlidhjen e Levit, thotë Zoti i ushtrive, prandaj unë do t'ju përbuz e do t'ju përul para tërë popujve, sepse nuk i ndoqët udhët e mia, por u treguat të njëanshëm në çështjet e ligjit. A nuk kemi të njëjtin atë të gjithë ne? A nuk na krijoi i njëjti Perëndi? Përse pra, jemi të pabesë me njëri-tjetrin duke e përdhosur besëlidhjen e etërve tanë? Juda është i pabesë. Një mëkat i neveritshëm u krye në Izrael e në Jerusalem, se Juda e përdhosi shenjtëroren që Zoti do dhe u martua me bijën e zotit të huaj. E zhbiftë Zoti prej tendave të Jakobit këdo që bën këtë, atë që jep kushtrimin e atë që përgjigjet, edhe atë që kushton flijime para Zotit të ushtrive. Për më tepër, ju e mbuloni me lot altarin e Zotit duke vajtuar e rënkuar, sepse ai nuk e sheh dhe nuk e pranon me kënaqësi flinë prej dorës suaj. E ju thoni: “Përse?”. Sepse Zoti është dëshmitar mes teje e gruas së rinisë sate, me të cilën u tregove i pabesë, ndonëse është bashkëshortja dhe gruaja e besëlidhjes sate. A nuk ju bëri Perëndia një në shpirt? Përse një? Sepse kërkon pasardhës të përkushtuar ndaj Perëndisë, prandaj ruajeni shpirtin tuaj. Mos u tregoni të pabesë me gruan e rinisë. Ai që e urren dhe e ndan të shoqen, thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, e mbulon veten me dhunë, thotë Zoti i ushtrive. Ruajeni shpirtin tuaj e mos u tregoni të pabesë. E mërzitët Zotin me fjalët tuaja, por ju thoni: “Si e mërzitëm?”. Kur thoni: “Kushdo që bën paudhësi është i mirë para Zotit dhe ai kënaqet me ta” ose: “Ku është Perëndia i drejtësisë?!”». «Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim, që të përgatisë udhën para meje. Dhe Zoti, që kërkoni, do të vijë befas në tempullin e tij. Lajmëtari i besëlidhjes, që dëshironi, tashmë ka ardhur, thotë Zoti i ushtrive. Kush do ta durojë ditën kur vjen ai? Kush do t'i bëjë ballë kur ai të dëftohet? Ai është si zjarri rafinues, porsi finja larëse. Do të vijë si pastrues e rafinues i argjendit. Do t'i pastrojë e do t'i kullojë bijtë e Levit porsi arin e argjendin, që të jenë të drejtë kur t'i sjellin fli Zotit. Atëherë flija e Judës dhe e Jerusalemit do t'i pëlqejë Zotit, si në kohët e moçme, si në vitet e shkuara. Do të vij te ju për t'ju gjykuar. I gatshëm do të jem për të dëshmuar kundër shortarëve, kurorëshkelësve e besëshkalëve, kundër atyre që mashtrojnë mëditësin, të venë e jetimin, kundër atyre që zbojnë të ardhurin e që nuk më druajnë, thotë Zoti i ushtrive. Unë, Zoti, s'kam ndryshuar e ju jeni ende bijtë e Jakobit! Që prej kohës së etërve tuaj, ju i kthyet shpinën rregullave të mia e nuk i mbajtët. Kthehuni tek unë e unë do të kthehem te ju, thotë Zoti i ushtrive, por ju thoni: “Si të kthehemi?”. A thua njeriu e grabit Perëndinë? Ju, pra, po më grabitni! E ju thoni: “Si po të grabitim?”. Në të dhjetat e në kushtimet. Të ka zënë mallkimi e prapë mbarë kombi yt më grabit. Silleni tërë të dhjetën në drithnik, që të ketë bukë në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë, thotë Zoti i ushtrive, po nuk jua hapa kanatet e qiejve e po nuk derdha mbi ju bekim me mbushulli. Do ta ndal brejtësin e ushqimit, që të mos ju shkatërrojë frytin e tokës dhe vreshtat të mos ju dështojnë, thotë Zoti i ushtrive. Mbarë kombet do të të quajnë të lum, sepse do te jesh një vend i admirueshëm, thotë Zoti i ushtrive. Keni folur rëndë kundër meje, thotë Zoti, por ju thoni: “Si folëm kundër teje?”. Ju thatë: “Është e kotë t'i shërbesh Perëndisë. Çfarë përfitojmë nëse i mbajmë urdhërimet e tij apo ecim në zi para Zotit të ushtrive? Prandaj, tani, ne quajmë të lum krenarët. Keqbërësit begatojnë. Edhe pse e tundojnë Perëndinë, ata shpëtojnë!”. Atëherë ata që e druajnë Zotin folën me njëri-tjetrin. Zoti i vuri re dhe i dëgjoi. Një libër përkujtimor u shkrua para tij për ata që druajnë Zotin dhe emrin e tij nderojnë. Ditën kur unë do të përgatis thesarin ata do të më përkasin mua, thotë Zoti i ushtrive. Do të kem dhembshuri për ta, siç i dhimbset kujtdo biri që i shërben. Atëherë do të vësh re sërish, dallimin mes të drejtëve e të paudhëve, mes atyre që i shërbejnë Perëndisë e atyre që nuk i shërbejnë. Ja, po vjen dita, ajo është ndezur flakë porsi furrnaltë. Mbarë krenarët e keqbërësit do të bëhen si kashta. Dita që vjen, thotë Zoti i ushtrive, do t'i djegë me rrënjë e me degë. Por, për ju që druani emrin tim, do të lindë dielli i drejtësisë që sjell shërim me rrezet e tij. Do të lodroni porsi viçat që dalin prej stallës. Do të shkelni mbi të paudhët, se hi do të jenë ata nën këmbët tuaja në ditën që po përgatis, thotë Zoti i ushtrive. Kujtoni ligjin e Moisiut, shërbëtorit tim. Atij ia dhashë rregullat dhe vendimet në Horeb për gjithë Izraelin. Ja, unë do të dërgoj te ju profetin Eli, përpara se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit. Ai do t'i pajtojë etërit me fëmijët dhe fëmijët me etërit, që kur të vij të mos e godas tokën me shkatërrim». Libri i breznive të Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. Judës i lindën prej Tamarës Faresi e Zara, Faresit i lindi Hesromi, Hesromit i lindi Arami, Aramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salmoni, Salmonit i lindi Boezi prej Rahabës, Boezit i lindi Jobedi prej Rutës, Jobedit i lindi Jeseu, Jeseut i lindi Davidi, mbreti. Davidit i lindi Solomoni nga gruaja e Uriahut, Solomonit i lindi Roboami, Roboamit i lindi Abiu, Abiut i lindi Asafi, Asafit i lindi Josafati, Josafatit i lindi Jorami, Joramit i lindi Ozia, Ozisë i lindi Joatami, Joatamit i lindi Akazi, Akazit i lindi Ezekia, Ezekisë i lindi Manaseu, Manaseut i lindi Amosi, Amosit i lindi Josia, Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni. Pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli, Salatielit i lindi Zorobabeli, Zorobabelit i lindi Abiudi, Abiudit i lindi Eliakimi, Eliakimit i lindi Azori, Azorit i lindi Sadoku, Sadokut i lindi Akimi, Akimit i lindi Eliudi, Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matani, të cilit i lindi Jakobi. Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezui, i quajtur Krisht. Breznitë nga Abrahami deri te Davidi janë gjithsej katërmbëdhjetë, nga Davidi deri te shpërngulja në Babiloni katërmbëdhjetë dhe nga shpërngulja në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë brezni. Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të bashkoheshin, ajo mbeti shtatzënë nga Shpirti i shenjtë. Meqenëse Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë e nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi. Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre». E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit: virgjëresha do të ngjizet e do të lindë një djalë që do të quhet Emanuel, që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne. Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin, të cilit Jozefi ia vuri emrin Jezu. Kur u lind Jezui në Betlehem të Judesë, në kohën kur ishte mbret Herodi, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jerusalem dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». Kur e dëgjoi këtë mbreti Herod, u shqetësuan ai dhe tërë Jerusalemi. Atëherë mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Krishti. Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë, se kështu shkruan profeti: e ti, Betlehem, tokë e Judesë, nuk je aspak më i vogli ndër prijësit e Judesë, sepse prej teje do të lindë një prijës që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit ». Atëherë Herodi thirri fshehurazi dijetarët dhe mori vesh prej tyre kohën e saktë se kur ishte shfaqur ylli. Pastaj i nisi për në Betlehem e u tha: «Shkoni e pyesni me hollësi për fëmijën dhe kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë e ta adhuroj». Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë. Të lajmëruar në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër. Si u nisën dijetarët, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit e i tha: «Ngrihu, merre fëmijën e të ëmën, ik në Egjipt e rri atje derisa të të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë». Ai u ngrit, mori fëmijën dhe të ëmën e u nis nëpër natë për në Egjipt. Qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti përmes profetit: nga Egjipti e thirra birin tim. Kur mori vesh se dijetarët e kishin mashtruar, Herodi u zemërua shumë dhe dërgoi të vrisnin në Betlehem e në mbarë atë krahinë të gjithë fëmijët meshkuj dy vjeç e poshtë, sipas kohës së saktë që kishte marrë vesh nga dijetarët. Atëherë u përmbush çfarë kishte thënë profeti Jeremi: u dëgjua një zë në Ramah, vajtim e gjëmë e madhe. Rakela vajton fëmijët e saj dhe nuk do që ta ngushëllojnë, sepse ata nuk janë më. Kur vdiq Herodi, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt e i tha: «Ngrihu, merr me vete fëmijën dhe të ëmën e nisu për në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur». Jozefi u ngrit, mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u nis për në tokën e Izraelit. Por, pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se në Jude sundonte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë dhe u vendos në një qytet të quajtur Nazaret, që të përmbushej thënia e profetëve: «Do të quhet nazaretas». Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë: një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër. Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi dhe mos mendoni se do t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr. Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë». Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij. Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur». Pastaj, i shtyrë nga Shpirti, Jezui shkoi në shkretëtirë që të tundohej nga djalli. Pasi agjëroi për dyzet ditë e dyzet net, Jezuin e mori uria. Atëherë erdhi tunduesi tek ai e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë ». Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: do t'i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë dhe ata do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur ». Jezui i tha: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ». Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë e i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre. Dhe i tha Jezuit: «Do të t'i jap të gjitha këto nëse bie në gjunjë e më adhuron». Atëherë Jezui i tha: «Shporru, Satan, sepse është shkruar: adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij ». Atëherë djalli u largua nga Jezui dhe, ja, erdhën engjëjt e i shërbenin. Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile. Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit, që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai: tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalimit, në rrugën drejt detit, përtej Jordanit, Galile e kombeve! Populli që ishte në errësirë pa një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi drita. Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri. Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij. Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull. Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi. Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij. Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu: «Lum të varfrit në shpirt, se e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, se do të ngushëllohen. Lum të butët, se do të trashëgojnë tokën. Lum të uriturit e të eturit për drejtësi, se do të ngihen. Lum të mëshirshmit, se do të mëshirohen. Lum zemërdëlirët, se do të shohin Perëndinë. Lum paqebërësit, se do të quhen bij të Perëndisë. Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë, se e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin, të thonë të gjitha të këqijat kundër jush me gënjeshtra për shkakun tim. Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej. Kështu përndoqën edhe profetët para jush». «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej». «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve». «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit». «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë». «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore». «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu». «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua». «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin, që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve? Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor». «Ruhuni të mos i bëni veprat e mira në sy të njerëzve për t'u dukur para tyre, se kështu nuk do të keni shpërblim tek Ati juaj që është në qiej. Kur të japësh lëmoshë, mos trumbeto me të madhe për të tërhequr vëmendjen, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të marrin lëvdata nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre. Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë». «Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. Prandaj ju lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Na i fal detyrimet tona, siç edhe ne ua falëm detyronjësve tanë. E mos na vër në sprovë, por na çliro nga i ligu. Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato». «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë ». «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t'i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote». «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!». «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë». «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë? Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? Po për veshjet, përse shqetësoheni? Shikoni si rriten zambakët e fushave. Ata as nuk lodhen e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni, në gjithë madhështinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë edhe ato gjëra. Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen. E nesërmja ka shqetësimet e veta. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet». «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni, sepse siç gjykoni, do të gjykoheni, dhe me masën që do të matni, do të mateni. Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? Dhe si mund t'i thuash vëllait tënd “më lër të ta heq ashklën nga syri” kur ke traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd. Mos u jepni qenve gjërat e shenjta e mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t'ju shqyejnë». «Lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. Kush prej jush do t'i jepte gur fëmijës së vet po t'i kërkonte bukë? Ose, do t'i jepte gjarpër po t'i kërkonte peshk? Nëse ju, që jeni të këqij dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë. Bëjuni të tjerëve gjithçka dëshironi t'ju bëjnë juve. Në këtë përmblidhen ligji e profetët». «Hyni nëpër derën e ngushtë, se e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje e të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të. Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë». «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. Ata do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat? Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija. Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija dhe as pema e kalbur nuk jep fryte të mira. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr. Kështu, pra, prej fryteve të tyre do t'i njihni». «Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”. Atëherë do t'u them: “Kurrë nuk ju kam njohur, largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi”». «Kushdo që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb. Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet në shkëmb. Kushdo që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të pamend që e ka ndërtuar shtëpinë në rërë. Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat e u vërsulën kundër kësaj shtëpie, dhe ajo u shemb. I madh qe shkatërrimi i saj». Dhe kur Jezui mbaroi së foluri, turmat mbetën të habitura nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. Kur Jezui zbriti nga mali, turma të mëdha i shkuan pas. Dhe ja, një i lebrosur iu afrua, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra. Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti e kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast. Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe. Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t'u shërbente. Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët, që kështu të përmbushej fjala e profetit Isai: mori mbi vete dobësitë tona dhe mbarti sëmundjet tona. Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër. Një shkrues iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh». Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën». Një tjetër, një nga dishepujt, i tha: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë». Por Jezui i tha: «Ti më ndiq mua dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre». Pastaj hipi në varkë i ndjekur nga dishepujt e vet. Dhe ja, në liqen u ngrit një stuhi e madhe, aq sa varka u mbulua nga dallgët. Ndërkohë ai flinte. Ata iu afruan, e zgjuan e i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!». Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe. Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?». Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge. Dhe, ja, ata filluan të bërtisnin e të thoshin: «Çfarë ke me ne, o Biri i Perëndisë? Ke ardhur të na mundosh para kohe?». Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash dhe djajtë iu lutën Jezuit: «Nëse na dëbon, na dërgo te kjo tufë derrash». Ai u tha: «Shkoni!». Atëherë, pasi dolën, ata shkuan te derrat dhe e tërë tufa u hodh nga humnera në liqen e u mbyt në ujë. Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve e shkuan në qytet, që të tregonin për të pushtuarit nga djalli e për gjithçka ndodhi. Dhe, ja, i gjithë qyteti i doli para Jezuit dhe kur e panë, iu lutën të largohej nga krahina e tyre. Si hipi në varkë, Jezui kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet. Atëherë i sollën një të paralizuar, të shtrirë në një vig. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Merr zemër, biri im, të janë falur mëkatet». Disa nga shkruesit thanë me vete: «Ky po fyen Perëndinë». Meqenëse Jezui i njihte mendimet e tyre, u tha: «Pse keni këto mendime të këqija në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”? Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». Ai u ngrit e shkoi në shtëpi. Kur panë këtë gjë, turmat i zuri frika dhe përlëvduan Perëndinë që u kishte dhënë njerëzve një pushtet kaq të madh. Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave. Ai quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij. Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?». Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: dua mëshirë e jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët». Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit e i thanë: «Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». Jezui u tha: «A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë. Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën e grisja bëhet më e madhe. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja». Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë e i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë». Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt. Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e gunës. Sepse thoshte me vete: «Sikur t'i prek vetëm gunën, do të shpëtoj». Jezui u kthye, e pa e i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua. Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme, Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën. Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit. Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën. Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër që thërrisnin: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!». Si arritën në shtëpi, të verbrit iu afruan dhe Jezui u tha: «A besoni se mund ta bëj këtë gjë?». Ata i thanë: «Po, o Zot!». Atëherë ai u preku sytë e u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!». Dhe atyre iu hapën sytë. Jezui i urdhëroi: «Kini kujdes se mos e merr vesh njeri». Por ata, sapo dolën, e përhapën lajmin në mbarë krahinën. Ndërsa po dilnin, i sollën një shurdhmemec që ishte i pushtuar nga djalli. Kur u dëbua djalli, shurdhmemeci foli dhe turmat u mrekulluan e thanë: «Nuk është parë asnjëherë një gjë e tillë në Izrael». Por farisenjtë thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve». Jezui i përshkoi të gjitha qytetet dhe fshatrat duke mësuar njerëzit në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë. Kur pa turmat, iu dhimbsën, sepse ishin të lodhura e të braktisura, si delet pa bari. Atëherë u tha dishepujve: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta». Pasi thirri pranë vetes dymbëdhjetë dishepujt, Jezui u dha atyre pushtet për të dëbuar shpirtrat e ndyrë e për të shëruar çdo sëmundje e lëngatë. Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut e Gjoni, vëllai i tij; Filipi e Bartolomeu; Thomai e Mate Tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu; Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi. Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu: «Mos shkoni udhës së kombeve e mos hyni në asnjë qytet samaritanësh, por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”. Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni. Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër, as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet. Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t'ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni. Kur të hyni në një shtëpi, përshëndetini. Nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë mbi të paqja juaj, por nëse nuk ju pret mirë, le të kthehet paqja juaj te ju. Dhe nëse ndokush nuk do t'ju pranojë apo nuk do të dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni nga ajo shtëpi, apo nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët. Me të vërtetë po ju them se në ditën e gjykimit më lehtë do ta ketë Sodoma e Gomorra, sesa ai qytet». «Ja, po ju dërgoj si delet mes ujqve, prandaj jini të zgjuar si gjarpërinjtë e të pastër si pëllumbat. Ruhuni nga njerëzit, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. Do t'ju tërheqin zvarrë para qeveritarëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para kombeve. Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni sesi do të flisni apo se çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t'ju jepet në atë çast. Nuk jeni ju ata që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flasë përmes jush. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje, dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet. Kur t'ju përndjekin në një qytet, shkoni në një tjetër. Me të vërtetë po ju them se nuk do t'i keni përshkuar të gjitha qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut. Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi dhe shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Dishepullit i mjafton të jetë si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të jetë si i zoti. Nëse e quajtën Beelzebul të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij». «Prandaj mos kini frikë prej tyre, sepse nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet, apo të fshehtë që s'do të merret vesh. Çfarë po ju them në errësirë, thuajeni në dritë dhe çfarë ju pëshpëritet në vesh, shpalleni nga çatitë. Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin. Kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë. A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? Megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela». «Kështu, kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe unë do ta rrëfej para Atit tim që është në qiej, por kushdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim që është në qiej». «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë. Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Kam ardhur të ndaj birin nga i ati, bijën nga e ëma; nusen nga e vjehrra; dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së tij. Kush e do të atin apo të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua dhe ai që e do të birin ose të bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush nuk e merr kryqin e vet për të më ndjekur, nuk është i denjë për mua. Kush e gjen jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë». «Kush ju pranon ju, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Kush pranon një profet se është profet, do të marrë shpërblimin e profetit dhe kush pranon një njeri të drejtë se është i drejtë, do të marrë shpërblimin e njeriut të drejtë. Kushdo që i jep njërit prej këtyre të vegjëlve qoftë edhe një gotë ujë të ftohtë, sepse është dishepull, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij». Si u mësoi këto gjëra dymbëdhjetë dishepujve, Jezui u largua që andej e shkoi për të mësuar njerëzit e për të predikuar në qytetet përreth. Gjoni ishte në burg dhe, kur dëgjoi për veprat e Krishtit, i çoi fjalë përmes dishepujve të vet për t'i thënë: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». Jezui u përgjigj kështu: «Shkoni e i tregoni Gjonit çka po dëgjoni e po shihni. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë». Kur u larguan ata, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të buta gjenden në pallatet mbretërore. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. Gjoni është ai për të cilin është shkruar: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje, që të përgatisë udhën tënde. Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzori. Por, më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me përpjekje të mëdha dhe atë e fitojnë ata që përpiqen. Të gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në kohën e Gjonit. Dhe doni apo s'doni ta pranoni, ai është Elia që duhej të vinte. Kush ka veshë, le të dëgjojë. Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve e u thonë: “I ramë fyellit për ju e nuk kërcyet, vajtuam e ju nuk mbajtët zi”. Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta ». Atëherë Jezui filloi të qortonte qytetet ku u bënë pjesa më e madhe e mrekullive të tij, por që nuk ishin penduar: «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke hedhur hi mbi kokë. Por unë po ju them se Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit. Po ti, Kafarnaum, mos vallë do të lartësohesh deri në qiell? Në skëterrë do të plandosesh. Sepse Sodoma do të kishte mbetur deri më sot po të ishin bërë aty mrekullitë që u bënë te ti. Por po ju them se toka e Sodomës do ta ketë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit». Atëherë Jezui tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, se zgjedha ime është e butë e barra ime është e lehtë». Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t'i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra. Atëherë farisenjtë dolën përjashta dhe u këshilluan me njëri-tjetrin që ta vrisnin. Kur e mori vesh këtë gjë, Jezui u largua që andej. Turma të mëdha e ndoqën pas e ai i shëroi të gjithë të sëmurët dhe i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit Isai: ja shërbëtori që unë kam zgjedhur, i dashuri im, me të cilin shpirti im është i kënaqur. Tek ai do të vë Shpirtin tim dhe ai do t'u shpallë drejtësinë kombeve. Nuk do të ankohet, as do të bërtasë. Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë zërin e tij. Nuk do ta thyejë kallamin e shkelur e as do ta shuajë flakëzën që nxjerr tym, derisa të ngadhënjejë e drejta. E në emrin e tij do të shpresojnë kombet. Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, të pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte. Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?». Por kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve». Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë. Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij? Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj. Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju. Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë. Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan. Prandaj po ju them se njerëzve do t'u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t'u falet fyerja ndaj Shpirtit. Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen». «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep. Pjellë nepërkash! E si mund të flisni mirë nëse jeni të këqij? Ç'ka zemra, nxjerr goja. Njeriu i mirë nxjerr të mira nga thesari i tij i mirë dhe njeriu i keq nxjerr të këqija nga thesari i tij i keq. Unë po ju them se në ditën e gjykimit njerëzit do të përgjigjen për çdo fjalë të kotë që do të thonë, se nga fjalët tuaja do të bëheni të drejtë e nga fjalët tuaja do të dënoheni». Pastaj disa shkrues e farisenj i thanë: «Mësues, duam të shohim një shenjë prej teje». Por ai u përgjigj: «Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona. Ashtu si Jonai ndenji tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu do të rrijë edhe Biri i njeriut tri ditë e tri net në zemër të tokës. Banorët e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë atë, sepse ata u penduan pas predikimit të Jonait. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai. Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë atë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni». «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje, por nuk gjen. Atëherë thotë: “Do të kthehem te shtëpia ime, prej nga dola”. Kur vjen, e gjen shtëpinë të zbrazët, të pastruar e të zbukuruar. Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja. Kështu do t'i ndodhë edhe kësaj breznie të ligë». Ndërsa Jezui po u fliste ende turmave, përjashta prisnin e ëma dhe vëllezërit e tij që kërkonin të flisnin me të. Dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e duan të flasin me ty». Por Jezui iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve e tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. Kushdo që bën vullnetin e Atit tim, që është në qiej, është vëllai im, motra ime e nëna ime». Po atë ditë Jezui doli nga shtëpia dhe u ul në breg të liqenit. Turma të mëdha u mblodhën pranë tij. Ai hipi në një varkë e u ul, ndërsa e tërë turma qëndronte në breg. Jezui u tregoi shumë gjëra me shëmbëlltyra e u tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, por u vyshkën kur doli dielli e ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën e ua zunë frymën. Fara të tjera ranë në tokë të mirë e dhanë fryt, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetë e disa tridhjetë. Kush ka veshë, le të dëgjojë». Pastaj erdhën dishepujt e i thanë: «Përse u flet me shëmbëlltyra?». Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre jo. Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do të ketë me tepri, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Atyre u flas me shëmbëlltyra, sepse megjithëse shikojnë, nuk shohin dhe megjithëse dëgjojnë, nuk marrin vesh e as kuptojnë. Te këta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: do të dëgjoni, por s'do të kuptoni, do të shikoni, por s'do të shihni. Sepse zemra e këtij populli është mpirë, veshët e tyre dëgjojnë me vështirësi dhe sytë i kanë të mbyllur, që të mos shohin me sy, të mos dëgjojnë me veshë, të mos kuptojnë me zemër dhe që të mos kthehen tek unë për t'i shëruar. Por lum sytë tuaj, që shohin, e veshët tuaj, që dëgjojnë. Me të vërtetë po ju them se shumë profetë e njerëz të drejtë dëshiruan të shihnin çfarë po shihni ju e nuk panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk dëgjuan». «Ju e dëgjuat shëmbëlltyrën e mbjellësit. Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu e i rrëmben çka është mbjellë në zemrën e tij. Ky është fara që u mboll në rrugë. Ajo që u mboll në gurishtë është ai që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë plot gëzim, por nuk ka rrënjë në vetvete dhe është i përkohshëm, kështu që kur vjen mundimi apo përndjekja për shkak të fjalës, bie menjëherë. Ajo që u mboll mes ferrash është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj jete dhe joshja e pasurisë ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. Ajo që u mboll në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën dhe e kupton. Ai jep fryt e prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetë e tjetri tridhjetë». Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet, por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua. Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”. Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku”. Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”. Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin. Le të rriten të dyja bashkë deri në të korra dhe kur të vijë koha e të korrave, do t'u them korrësve: korrni më parë egjrën, lidheni në tufëza për t'i djegur, ndërsa grurin mblidheni në grunar”». Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me një farë sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është më e vogla ndër të gjitha farërat, por pasi rritet, është më e madhja ndër barishtet e bëhet pemë, saqë zogjtë e qiellit vijnë e bëjnë fole në degët e saj». U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi». Jezui ua tha turmave të gjitha këto gjëra me shëmbëlltyra e nuk u fliste pa shëmbëlltyra, që të përmbushet çfarë është thënë përmes profetit: do të flas me shëmbëlltyra, do të tregoj çfarë ishte e fshehur që nga fillimi i botës. Pastaj Jezui i la turmat e shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai e i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë». Ai u përgjigj: «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut, ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut. Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt. Ashtu siç mblidhet e digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që bëhet pengesë e të gjithë ata që bëjnë paudhësi dhe do t'i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh. Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë». «Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur, i cili, me të gjetur një margaritar të shtrenjtë, shkoi, shiti gjithçka pati dhe e bleu. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji. Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta. Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët, e do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». «A i kuptuat të gjitha këto?». Ata iu përgjigjën: «Po ». Atëherë ai u tha: «Prandaj çdo shkrues që është bërë dishepull i mbretërisë së qiejve i ngjan të zotit të shtëpisë, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra». Si mbaroi së treguari këto shëmbëlltyra, Jezui u largua që andej. Kur erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre. Ata mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vjen gjithë kjo urti e kjo fuqi për të bërë mrekulli? A nuk është ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet Mari nëna e tij? A nuk janë vallë Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda vëllezërit e tij? Po motrat e tij a nuk janë të gjitha këtu te ne? Nga i vijnë këtij të gjitha këto?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Profeti nuk përçmohet askund përveçse në vendlindjen e në shtëpinë e vet». Aty nuk bëri shumë mrekulli, për shkak të mosbesimit të tyre. Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit aq shumë, sa i premtoi me betim t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t'ia jepnin. Ai dërgoi dikë që ia preu kokën Gjonit në burg. Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës. Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit. Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». Jezui tha: «M'i sillni këtu». Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta. Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve. Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t'u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm, ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, se era ishte kundër. Në agim, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». Kur hipën në varkë, era pushoi. Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë e i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë». Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit. Kur e njohën, njerëzit e atij vendi çuan fjalë në të gjithë krahinën përreth, i sollën të gjithë të sëmurët e iu lutën që të mund t'i preknin vetëm cepin e gunës. Kështu, ata që e prekën, u shëruan. Farisenjtë dhe shkruesit erdhën te Jezui nga Jerusalemi e i thanë: «Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e të parëve? Ata nuk i lajnë duart kur hanë». Jezui u përgjigj: «Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj? Se Perëndia ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. Por ju thoni: “Kush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë, ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar të atin ”. Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë. Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha: ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve ». Pastaj e thirri turmën pranë vetes e tha: «Dëgjoni e merrni vesh! Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot çfarë del prej saj». Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se u je bërë pengesë farisenjve kur e kanë dëgjuar këtë gjë?». Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë. Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë». Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë». Jezui tha: «Ende nuk e keni kuptuar? A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet? Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun. Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme e fyerjet. Këto e ndotin njeriun e jo ngrënia me duar të palara». Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit. Dhe ja, një grua kananite, nga ajo krahinë, shkoi e i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli». Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur». Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!». Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve». Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast. Jezui u largua që andej e shkoi bregut të liqenit të Galilesë. U ngjit në mal dhe u ul aty. Turma të mëdha erdhën tek ai duke sjellë me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, memecë e shumë të tjerë. I ulën te këmbët e tij dhe ai i shëroi. Kështu turmat u mrekulluan kur panë memecët që po flisnin, të gjymtuarit që shëroheshin, të çalët që ecnin, të verbrit që shikonin dhe përlëvduan Perëndinë e Izraelit. Pastaj Jezui thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t'i lë të shkojnë të uritur e të mbeten rrugës». Dishepujt i thanë: «Ku ta gjejmë gjithë atë bukë në shkretëtirë për të ushqyer tërë këtë turmë?». Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë bukë e disa peshq të vegjël». Pasi urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët dhe peshqit, tha lutjen e falënderimit, i theu bukët, ua dha dishepujve e dishepujt ua dhanë turmave. Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe morën me vete shtatë shporta me copat që tepruan. Ata që hëngrën ishin katër mijë burra, përveç grave e fëmijëve. Jezui i shpërndau turmat, hipi në varkë e shkoi në krahinën e Magadanit. Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. Ju që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre. Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve. Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti. Që nga ajo kohë, Jezui filloi t'u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë. Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? Biri i njeriut do të vijë me engjëjt e tij në lavdinë e Atit të vet dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas veprave të veta. Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do të provojnë vdekjen pa e parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij». Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe vëllanë e tij, Gjonin, e i çoi në një mal të lartë, në një vend të vetmuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre. Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat iu bënë të bardha si drita. Pastaj atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elia duke folur me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Zot, sa mirë që jemi këtu! Nëse dëshiron, do të ngre këtu tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Ndërsa ishte ende duke folur, një re e shndritshme i mbuloi me hijen e saj dhe një zë nga reja tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur. Dëgjojeni!». Kur e dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. Por Jezui u afrua, i preku e u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë!». Kur ngritën sytë, nuk panë askënd përveç Jezuit. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos i thoni askujt çfarë keni parë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej të vdekurve». Atëherë dishepujt e pyetën: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». Jezui u përgjigj: «Po, Elia po vjen dhe ai do të vërë gjithçka në vendin e vet. Madje po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të çfarë deshën. Kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut prej tyre». Atëherë dishepujt e kuptuan se po u fliste për Gjon Pagëzorin. Kur arritën te turma, Jezuit iu afrua një njeri, i ra në gjunjë e i tha: «Zot, ki mëshirë për tim bir, se ka sëmundjen e tokës dhe vuan shumë. Shpeshherë bie në zjarr e në ujë. Ua solla dishepujve të tu, por ata nuk mundën ta shëronin». Jezui tha: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». Jezui e qortoi djallin. Atëherë djalli doli prej djaloshit dhe ai u shërua në çast. Pastaj dishepujt erdhën te Jezui dhe, kur ishin vetëm, i thanë: «Pse ne nuk mundëm ta dëbonim?». Kur ishin në Galile, Jezui u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe ditën e tretë, ai do të ngjallet». Atëherë dishepujt u pikëlluan shumë. Kur arritën në Kafarnaum, mbledhësit e tagrit të tempullit iu afruan Pjetrit e i thanë: «A e paguan tagrin mësuesi juaj?». Ai u tha: «E paguan». Sapo Pjetri u kthye në shtëpi, Jezui iu drejtua i pari: «Si mendon ti Simon? Nga kush i marrin mbretërit e kësaj bote tagrat ose detyrimet? Nga bijtë e tyre apo nga të tjerët?». Pjetri u përgjigj: «Nga të tjerët». Jezui i tha: «Atëherë bijtë janë të lirë. Por për të mos u bërë pengesë për ta, shko te liqeni, hidh grepin dhe kap peshkun e parë që do të bjerë në të. Kur t'i hapësh gojën, do të gjesh një monedhë. Merre e paguaj për mua e për vete». Atëherë dishepujt erdhën te Jezui dhe e pyetën: «Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve?». Jezui thirri një fëmijë, e vuri mes tyre e tha: «Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Kush përulet si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiejve. Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua». «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të mbytej thellë në det. Mjerë bota për gjërat që bëhen pengesë! Pengesat duhet të vijnë, por mjerë ai njeri që i shkakton ato! Nëse dora apo këmba jote të bëhet pengesë, prije e hidhe tej. Është më mirë të hysh i gjymtuar ose i çalë në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart dhe këmbët e të të hedhin në zjarrin e amshuar. Dhe nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre e hidhe tej. Është më mirë të hysh me një sy në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenën e zjarrit». Si mendoni? Nëse një njeri ka njëqind dele e njëra prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetenëntat në male për të kërkuar atë që humbi rrugën? E nëse e gjen, me të vërtetë po ju them se ai gëzohet më shumë për të, sesa për të nëntëdhjetenëntat që nuk e kishin humbur rrugën. Po kështu edhe vullneti i Atit tuaj në qiej nuk është që të humbasë ndonjë prej këtyre të vegjëlve». «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko e qortoje vetëm për vetëm. Po të dëgjoi, e ke fituar vëllanë tënd. Por, nëse nuk të dëgjon, merr edhe një ose dy të tjerë me vete, që çdo fjalë të mund të mbështetet me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve. Nëse nuk pranon t'i dëgjojë, tregoja kishës dhe, po nuk pranoi të dëgjojë as kishën, le të jetë për ty si një prej kombeve apo si një tagrambledhës». «Me të vërtetë po ju them: çfarëdo që të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell. Përsëri po ju them se nëse dy prej jush bien në një mendje për diçka që duan të kërkojnë, Ati im në qiell do t'ua japë. Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre». Atëherë Pjetri erdhi te Jezui e i tha: «Zot, sa herë duhet ta fal vëllanë që mëkaton kundër meje? Deri në shtatë herë?». Jezui i tha: «Jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë. Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi, i sollën njërin që i detyrohej dhjetë mijë talenta dhe meqenëse ky nuk kishte të paguante, i zoti urdhëroi që të shitej së bashku me gruan, fëmijët e gjithçka kishte, që të shlyhej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të paguaj gjithçka!”. I zoti i këtij shërbëtori, i shtyrë nga dhembshuria e liroi dhe ia fali detyrimin. Por, po ai shërbëtor, kur doli jashtë, takoi njërin prej shërbëtorëve të tjerë si ai, i cili i detyrohej njëqind denarë. E kapi për gryke e i tha: “Më kthe çka më detyrohesh!”. Atëherë ky shërbëtor i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të ta kthej detyrimin!”. Ai nuk pranoi, por shkoi dhe e futi në burg derisa t'i paguante detyrimin. Kur e panë çfarë ndodhi, shërbëtorët e tjerë u pikëlluan shumë dhe shkuan e i treguan të zotit gjithçka kishte ndodhur. Atëherë i zoti e thirri shërbëtorin e i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë! Unë ta fala tërë detyrimin, se ti m'u përgjërove. A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shërbëtorin tjetër, siç pata unë mëshirë për ty?”. I zoti ua dorëzoi me zemërim rojave të burgut, derisa të shlyente tërë detyrimin e tij. Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor nëse nuk i falni vëllezërit tuaj me gjithë zemër». Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër? ». Dhe tha: « Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t'u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t'i jepet gruas fletëndarja e të lihet ». Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore ». Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri». Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t'i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata, të cilëve u është dhënë. Ka eunukë që nga lindja dhe ka eunukë të bërë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, të kuptojë». Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta e të lutej, por dishepujt i qortuan. Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata». Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej. Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: « Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten!». Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Ç'më mungon ende?». Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur». Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç'do të bëhet?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, atë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t'i marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e amshuar. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët». «Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet. Pasi u mor vesh me punëtorët që t'i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. Kur doli rreth orës nëntë, pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu e u tha: “Shkoni edhe ju në vresht e do t'ju jap aq sa është e drejtë”. Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë e rreth orës tre. Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin e u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”. Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë”. Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vresht ”. Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët e jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri te i pari”. Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar. Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar. Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë e i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës e të nxehtin”. Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar? Merr atë që të takon e shko. Unë do t'i jap këtij të fundit sa ty. A nuk më lejohet mua të bëj ç'të dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”. Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit ». Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha: «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje, do t'ua dorëzojnë kombeve që ta tallin, ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet». Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde». Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën time do ta pini, por që të uleni në të djathtën e në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im». Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit. Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se krerët e kombeve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj, sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz». Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe. Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!». Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi e shkuan pas tij. Kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj përpara e u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe menjëherë do të gjeni të lidhur një gomaricë e një kërriç. Zgjidhini e sillini tek unë. Nëse ju thotë gjë njeri, i thoni: “Zoti ka nevojë për ta e do t'jua kthejë menjëherë”». Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit: i thoni bijës së Sionit: ja, po vjen te ti mbreti yt, plot butësi, hipur mbi një gomaricë e një kërriç, të voglin e gomaricës. Dishepujt shkuan e vepruan siç i urdhëroi Jezui. Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to. Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë. Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij, thërrisnin: « Hosana birit të Davidit, bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, Hosana në lartësitë e qiejve!». Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?». Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë». Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. Dhe u tha: «Është shkruar: shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje, por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbrit e të çalët dhe ai i shëronte. Por kryepriftërinjtë e shkruesit, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan e i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi ». Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën. Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria. Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënç më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast. Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim e të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t'i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte. Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni». Jezui kishte hyrë në tempull e po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra». «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot”. Ai iu përgjigj: “Nuk dua”. Por më vonë u pendua e shkoi. Shkoi te djali tjetër e i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi. Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?». Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë. Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë e ju nuk i besuat, por tagrambledhësit e laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje e nuk besuat». «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: i zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj. Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit. Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta. Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. Por kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t'i marrim trashëgiminë”. Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?». Ata i thanë: «Do t'i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t'ua japë vreshtarëve të tjerë që do t'ia japin të vjelat në kohën e duhur». Jezui u tha: «A nuk keni lexuar kurrë në Shkrime: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ». Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do të japë fryte në të. Kushdo që bie mbi këtë gur do të copëtohet dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë». Kur kryepriftërinjtë e farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e Jezuit, e kuptuan se po fliste për ta dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turma që e mbante Jezuin për profet. Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”. Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur». Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë. Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush. Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit, apo jo?». Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë? Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë. Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej. Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu ka thënë: nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet. Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve». Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij. Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». Jezui i tha: « Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët». Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti: «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit». Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e quan atë Zot kur thotë: i tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa t'i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua. Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?». Askush nuk mundi t'i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më. Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues”. Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besim dhe më pas e bëni bir të Gehenës dy herë më shumë se veten tuaj!». «Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër, që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin”. Të marrë e të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin? Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin”. Të verbër! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën? Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar. Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull. Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje e shfrenim. Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju ngjani me varre të zbardhura që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish e gjithfarë ndyrësish. Kështu, nga jashtë ju shfaqeni para njerëzve si të drejtë, por përbrenda jeni plot hipokrizi e paudhësi». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, se ndërtoni varret e profetëve e stolisni përmendoret e të drejtëve! Ju thoni: “Po të kishim jetuar ne në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim marrë pjesë në derdhjen e gjakut të profetëve”. Kështu dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët. Çojeni deri në fund veprën e nisur nga etërit tuaj. Gjarpërinj e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni dënimit të Gehenës? Prandaj unë po ju dërgoj juve profetë, të urtë dhe shkrues. Disa prej tyre do t'i vrisni e do t'i kryqëzoni, të tjerë do t'i rrihni në sinagogat tuaja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet dhe kështu do të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë i derdhur mbi tokë, që nga gjaku i Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shenjtërores e altarit. Me të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brezni». «Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë i vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni: bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! ». Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi». «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen. Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, por, ja, unë ju paralajmërova. Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët». «Fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të errësohet e hëna nuk do të japë dritë. Yjet do të bien nga qielli e pushtetet qiellore do të tranden. Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës». «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë, dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja e i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet. Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet. Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini në ç'ditë vjen Zoti. Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni». «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë e ha e pi me të dehurit, atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret e në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». «Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me dhjetë virgjëresha që morën kandilat e shkuan për të takuar dhëndrin. Pesë prej tyre ishin të marra e pesë të mençura. Të marrat, kur morën kandilat, nuk morën vaj me vete, ndërsa të mençurat morën enë vaji për kandilat. Dhëndri u vonua e ato dremitën të gjitha e i zuri gjumi. Por në mesnatë dikush thirri: “Erdhi dhëndri, dilni ta takoni”. Atëherë të gjitha virgjëreshat u zgjuan për të bërë gati kandilat. Të marrat u thanë të mençurave: “Na jepni pak nga vaji juaj, se po na fiken kandilat”. Por të mençurat u përgjigjën: “Jo, se pastaj nuk do të na mjaftojë as neve e as juve. Më mirë shkoni te tregtarët e blini”. Kur shkuan për të blerë, mbërriti dhëndri. Virgjëreshat që ishin gati, hynë së bashku me të në dasmë dhe dera u mbyll. Pastaj erdhën virgjëreshat e tjera e thanë: “Zotëri, zotëri, na e hap derën!”. Por ai u përgjigj: “Me të vërtetë po ju them se nuk ju njoh”. Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini as ditën e as orën ». «Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që, para se të nisej për në një vend të huaj, thirri shërbëtorët e vet e u besoi pasurinë. Njërit i dha pesëqind monedha ari, një tjetri dyqind e tjetrit njëqind, secilit sipas aftësisë që kishte. Pastaj u nis për rrugë. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, shkoi menjëherë, bëri tregti me to dhe fitoi edhe pesëqind të tjera. Po ashtu, ai që kishte marrë dyqind monedha, fitoi edhe dyqind të tjera. Por, ai që kishte marrë njëqind monedha, shkoi, gërmoi tokën e i fshehu atje monedhat e zotërisë së vet. Pas një kohe të gjatë i zoti i këtyre shërbëtorëve erdhi e bëri llogaritë me ta. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, erdhi e solli edhe pesëqind të tjera e tha: “Zotëri, më dhe pesëqind monedha, ja, fitova edhe pesëqind të tjera”. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”. Edhe ai që kishte marrë dyqind monedha erdhi e tha: “Zotëri, më dhe dyqind monedha, ja, fitova edhe dyqind të tjera”. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”. Edhe ai që kishte marrë njëqind monedha, erdhi e tha: “Zotëri, unë të njoh për njeri të rreptë, që korr ku nuk ke mbjellë e mbledh ku nuk ke shpërndarë, prandaj pata frikë dhe shkova e i fsheha në tokë monedhat që më dhe. Merri, ja ku i ke!”. Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i mbrapshtë e përtac. Ti e paske ditur se unë korrkam ku nuk kam mbjellë e mblidhkam ku nuk kam shpërndarë? Atëherë duhej t'i kishe futur paratë e mia në bankë që, kur të kthehesha, t'i merrja bashkë me fitimin. Prandaj merrjani këtij monedhat e jepjani atij që ka një mijë, se atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do t'i teprojë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo që ka. Shërbëtorin e pavlerë hidheni përjashta në errësirë, ku ka vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”». «Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij bashkë me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e tij të lavdishëm. Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t'i ndajë njërin nga tjetri, siç ndan bariu delet nga dhitë. Delet do t'i vërë në të djathtë, ndërsa dhitë në të majtë. Pastaj mbreti do t'u thotë atyre që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuarit e Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga krijimi i botës, sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj e më pritët, isha i zhveshur e më veshët, isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek unë”. Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritur e të dhamë për të ngrënë? Ose të pamë të etur e të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj e të pritëm apo të zhveshur e të veshëm? Kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?”. Mbreti do t'u përgjigjet: “Me të vërtetë po ju them se sa herë e keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Pastaj do t'u thotë atyre që janë në të majtën e tij: “Largohuni prej meje, o të mallkuar, në zjarrin e amshuar që është përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij, sepse pata uri e nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje e nuk më dhatë për të pirë, isha i huaj e nuk më pritët, isha i zhveshur e nuk më veshët, isha i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët të më shihni”. Atëherë edhe ata do të përgjigjen: “O Zot, kur të pamë të uritur, të etur, të huaj, të zhveshur, të sëmurë apo në burg e nuk të shërbyem?”. Ai do t'u thotë: “Me të vërtetë po ju them se sa herë që nuk e keni bërë këtë për ndonjërin nga vëllezërit e mi më të vegjël, nuk ma keni bërë as mua”. Këta do të shkojnë në dënimin e amshuar, ndërsa të drejtët në jetën e amshuar». Kur mbaroi së thëni këto fjalë, Jezui u tha dishepujve: «Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar». Atëherë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e pallatit të kryepriftit që quhej Kajafa dhe së bashku vendosën ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull». Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij. Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë e paratë t'u jepeshin të varfërve». Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha: «Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë. Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim. Me të vërtetë po ju them se kudo të shpallet ky ungjill, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri». Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e u tha: «Çfarë do të më jepni po t'jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar. Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, dishepujt erdhën te Jezui e i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?». Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani e i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”». Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën Pashkën. Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim». Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve. Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar: do të godas bariun dhe delet e tufës do të shpërndahen. Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti». Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!». Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë. Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?». Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve». Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën. Pastaj, ata që e kishin kapur e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa ku ishin mbledhur shkruesit e pleqtë. Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë. Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta e thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë e ta ndërtoj për tri ditë”». Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them se që tani e tutje do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit ». Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë. Çfarë mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen». Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë e ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka e i thoshin: «Gjeje kush të goditi, o Krisht?». Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thua!». Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër e u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit». Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri». Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Patjetër je një prej tyre se dukesh nga e folmja». Pastaj Pjetri filloi të mallkonte e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri». Atë çast këndoi gjeli dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim. Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit. Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten. Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi: i morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit, e blenë me to Arën e Poçarit, siç më kishte urdhëruar Zoti. Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin. Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira. Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin. Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar. Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë. Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Pastaj u ulën e po e ruanin. Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë. Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eli, Eli, lema sabakthani?» që do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?». Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar». Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut. Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit. Ai shkoi te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi t'ia jepnin. Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e u largua. Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit. Të nesërmen ishte e shtunë. Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati e i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, pati thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”. Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t'i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari». Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë». Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin e vendosën roja, e siguruan varrin. Pas së shtunës, në mëngjes herët, Maria Magdalena dhe Maria tjetër erdhën për të parë varrin. Papritur ra një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, rrokullisi gurin e u ul mbi të. Fytyra e engjëllit shndriste si vetëtima e rrobat i kishte të bardha si dëbora. Rojat i zuri një frikë aq e madhe, saqë u drodhën e mbetën si të vdekur. Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë. Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t'ju thënë». Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin». Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». Ata morën paratë e bënë siç i mësuan. Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme. Të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte thënë Jezui. Kur e panë Jezuin, e adhuruan, por disa prej tyre dyshuan. Jezui iu afrua e u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë, prandaj shkoni e mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë. Mësojini të zbatojnë gjithë sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës». Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Ndodhi sikurse është shkruar te profeti Isai: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde. Ai është zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Gjon Pagëzori doli në shkretëtirë dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. Njerëz nga e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai e pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre. Gjoni ishte i veshur me një rrobë prej leshi deveje, mbante një brez lëkure rreth ijëve e hante karkaleca e mjaltë të egër. Ai predikonte e thoshte: «Pas meje vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të ulem as për t'i zgjidhur lidhëset e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë». Gjatë atyre ditëve Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua prej Gjonit në Jordan. Menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiejt që po hapeshin dhe Shpirtin si një pëllumb duke zbritur mbi të. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur». Menjëherë Shpirti e çoi Jezuin në shkretëtirë. Ai qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satani. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin. Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill». Ndërsa kalonte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij. Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden». E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë. Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t'u shërbente. Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte. Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë. Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë. Pas disa ditësh, kur Jezui u kthye në Kafarnaum, u hap fjala se ai ishte në një shtëpi. Atje u mblodhën aq shumë njerëz, saqë nuk kishte më ku të rrinin, as edhe te dera. Ai u predikonte fjalën. Atëherë erdhën e i sollën një të paralizuar, të cilin e mbartnin katër burra. Meqë nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, hapën çatinë sipër tij dhe ulën poshtë vigun ku gjendej i paralizuari. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet». Disa shkrues që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre: «Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, t'i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet” apo t'i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”? Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi». Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë». Jezui doli përsëri në breg të liqenit. Gjithë turma u mblodh rreth tij e ai i mësonte. Teksa po ecte më tej, pa Levin e Alfeut, që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. Ndërsa ishte ulur për të ngrënë, në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën me Jezuin e me dishepujt e tij. Ata që e ndiqnin ishin shumë. Kur panë se po hante me mëkatarët dhe tagrambledhësit, shkruesit e farisenjve u thanë dishepujve: «Përse ha ai me tagrambledhësit e mëkatarët?». Jezui e dëgjoi këtë e tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët ». Dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë po agjëronin. Disa prej tyre shkuan e i thanë Jezuit: «Përse dishepujt e Gjonit dhe të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin. Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë. Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, se arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët e kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj». Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?». Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve dhe sesi ua dha edhe atyre që ishin me të?». Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i të shtunës». Jezui hyri përsëri në një sinagogë dhe aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Farisenjtë e vëzhgonin me kujdes për të parë nëse do ta shëronte ditën e shtunë, që të mund ta padisnin. Jezui i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e dil në mes!». Pastaj iu drejtua atyre: «A është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën, të shpëtosh një jetë apo të vrasësh?». Por ata heshtën. Jezui pa përreth i zemëruar dhe, me keqardhje për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua plotësisht. Farisenjtë dolën përjashta e u këshilluan me herodianët që ta vrisnin. Jezui shkoi bashkë me dishepujt drejt liqenit, ku e ndoqi një turmë e madhe njerëzish nga Galilea e Judeja, nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai. Jezui u tha dishepujve t'i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma, sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur. Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë». Dhe ai i urdhëronte rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai dhe ai caktoi të dymbëdhjetët, që i quajti apostuj, që të qëndronin me të e t'i dërgonte të predikonin, duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë. Ja të dymbëdhjetët: Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër, Jakobi, biri i Zebedeut, e Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë «bijtë e bubullimës», Andrea e Filipi, Bartolomeu e Mateu, Thomai e Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi. Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë. Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete». Por shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve». Jezui i thirri pranë vetes e filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin? Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë. Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë. Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund. Por askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë nëse nuk e ka lidhur më parë të fortin. Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë. Me të vërtetë po ju them se gjithçka do t'u falet bijve të njerëzve, edhe mëkatet që kanë bërë, edhe fyerjet ndaj Perëndisë, por kushdo që fyen Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet në amshim. Ai është fajtor me mëkat të amshuar». Jezui i tha të gjitha këto, sepse ata thoshin: «Është i pushtuar nga një shpirt i ndyrë». Ndërkaq erdhën e ëma dhe vëllezërit e tij. Ata u ulën përjashta dhe dërguan dikë për ta thirrur. Një turmë rrinte ulur rreth tij e dikush i tha: «Nëna jote, vëllezërit e tu e motrat janë përjashta e po të kërkojnë». Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». Pastaj vështroi ata që ishin ulur rreth tij e tha: «Ja nëna ime e vëllezërit e mi. Kushdo që bën vullnetin e Perëndisë është vëllai im, motra ime e nëna ime». Jezui filloi përsëri t'i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe, ja, një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit. Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha: «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë e ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. Disa fara të tjera ranë ndër ferra e ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt. Fara të tjera ranë në tokë të mirë e ndërsa rriteshin e zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish». Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!». Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat. Dhe ai u tha: «Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, që, megjithëse kanë sy për të parë, të mos shohin, megjithëse kanë veshë për të dëgjuar, të mos marrin vesh, përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia dhe ai do t'i falte ». Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta. Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish». Dhe u tha: «A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet? Sepse nuk ka asnjë të fshehtë që s'do të zbulohet e asnjë të fshehtë që s'do të dalë në dritë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë». Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni, do të mateni edhe ju, madje edhe më shumë. Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka». Dhe tha: «Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra. Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave». Pastaj tha: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë? Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka, por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet e nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj». Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin. Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, por kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet. Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër». Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me të ishin edhe disa varka të tjera. Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë. Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan e i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?». Jezui u ngrit, qortoi erën e i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi e u bë bunacë e madhe. Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?». Atëherë ata i zuri një frikë e madhe e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?». Arritën në bregun tjetër të liqenit, në vendin e gerasenëve dhe menjëherë, sapo doli Jezui nga varka, erdhi nga varrezat tek ai një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë. Ai banonte në varreza dhe askush nuk mund ta lidhte më as me zinxhirë, sepse disa herë e kishin lidhur me pranga e zinxhirë, por ai i kishte këputur zinxhirët e i kishte thyer prangat dhe askush nuk mund ta zbuste dot. Natë e ditë rrinte nëpër varre e nëpër male, duke bërtitur e duke e prerë veten me gurë. Kur e pa Jezuin nga larg, ai vrapoi, ra në gjunjë para tij dhe thirri me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të përbej për Perëndinë, mos më mundo!». Jezui i tha: «Shpirt i ndyrë, dil nga ky njeri!». Dhe e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai iu përgjigj: «Emri im është Legjion, se jemi shumë». Dhe djalli i lutej shumë Jezuit që të mos e dëbonte jashtë atij vendi. Aty pranë malit gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin. Shpirtrat e ndyrë iu lutën Jezuit e i thanë: «Na dërgo të hyjmë te derrat!». Dhe ai i lejoi. Atëherë shpirtrat e ndyrë, me të dalë prej tij, u futën te derrat dhe tufa që gati arrinte numrin dy mijë, u hodh nga humnera në liqen e u mbyt. Rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Ata erdhën pranë Jezuit dhe kur panë të pushtuarin nga djalli, atë që kishte pasur Legjionin, që rrinte ulur dhe ishte i veshur e me mendje në rregull, i zuri frika. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan çfarë kishte ndodhur me të pushtuarin nga djalli e me derrat. Atëherë ata iu lutën Jezuit që të largohej nga krahina e tyre. Ndërsa Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga djalli i lutej të rrinte me të. Jezui nuk e lejoi, por i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju çfarë ka bërë Zoti e sesi tregoi mëshirë për ty». Atëherë ai u largua dhe nëpër mbarë Dekapojën shpallte atë që kishte bërë Jezui për të dhe të gjithë mahniteshin. Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit, erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë e iu lut shumë, duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në grahmat e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë e të jetojë!». Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas. Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj». Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast e ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe, si iu drejtua turmës, tha: «Kush m'i preku rrobat?». Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët e thua kush më preku?». Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. Atëherë gruaja, e frikësuar e duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë e i tha gjithë të vërtetën. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e qofsh e shëruar nga sëmundja jote». Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës e i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?». Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!». Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle». Ata e përqeshën. Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete të atin e të ëmën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija. Ai e kapi fëmijën për dore e i tha: «Talitha kum» që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!». Vajza e vogël u ngrit menjëherë e filloi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeç. Atëherë u habitën pa masë. Jezui i urdhëroi rreptësisht që askush të mos e merrte vesh këtë gjë e u tha t'i jepnin të hante. Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç'është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij? A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij». Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre. Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta ». Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin. Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë». Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur». Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar. Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd». Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte, se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje. Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës. Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr. Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve. Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin. Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm. Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre. Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t'u mësonte shumë gjëra. Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan e i thanë: «Vendi është i shkretë e është bërë vonë. Lëri të shkojnë nëpër fushat e fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!». Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!». Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t'u japim për të ngrënë?». Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni». Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq». Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t'i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër. Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. Pasi mori pesë bukët e dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët e ua dha dishepujve të vet, që t'i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve. Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me çka teproi nga peshqit. Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra. Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën. Si u nda prej tyre, shkoi në mal për t'u lutur. Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg. Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, se kishin erën kundër dhe, në të gdhirë, erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t'i kalonte. Kur e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë e bërtitën, sepse të gjithë e kishin parë e ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi. Nuk kishin kuptuar asgjë për bukët, se zemra e tyre ishte ngurtësuar. Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe lidhën varkën. Sapo dolën nga varka, njerëzit e njohën menjëherë Jezuin dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë e filluan të mbartnin të sëmurët në vigje e t'ia sillnin kudo që merrnin vesh se ishte. Kudo që hynte, në fshatra, në qytete a nëpër ara, vendosnin të sëmurët nëpër sheshe e i luteshin t'i preknin së paku cepin e gunës. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin. Farisenjtë e shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi u mblodhën pranë tij. Ata panë disa prej dishepujve të tij që po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara. Farisenjtë dhe të gjithë judenjtë nuk hanë pa i larë duart me kujdes deri në bërryl, sipas traditës së të parëve dhe, pasi kthehen nga tregu, nuk hanë pa u larë. Janë edhe shumë gjëra të tjera, që sipas traditës duhet t'i ruajnë, si larje gotash, brokash, enësh bakri e shtretërish. Prandaj farisenjtë e shkruesit e pyetën: «Pse dishepujt e tu nuk ndjekin traditën e të parëve, por hanë bukë me duar të palara?». Por ai u tha: «Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju kur shkroi: ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve. Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t'iu përmbajtur traditës së njerëzve ». Dhe u tha: «Ju shpërfillni pa të keq urdhërimin e Perëndisë, për të mbajtur traditën tuaj. Në të vërtetë Moisiu ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja po e bëj korban, ‘që do të thotë dhuratë për Perëndinë’, atëherë ai është i çliruar nga detyrimi për të ndihmuar të atin apo të ëmën”. Kështu, ju shfuqizoni fjalën e Perëndisë me anë të traditës që keni trashëguar. Ju bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto». Jezui e thirri sërish turmën pranë vetes e tha: «Dëgjomëni të gjithë e merrni vesh! Kur u nda nga turma e hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën. Ai u tha: «As ju nuk e keni kuptuar? A nuk e kuptoni se njeriun nuk mund ta ndotë çfarë hyn tek ai nga jashtë, se nuk hyn në zemër, por në bark e pastaj jashtëqitet?». Kështu Jezui i shpalli të pastra të gjitha ushqimet. Dhe vazhdoi: «Çfarë del prej njeriut është ajo që e ndot njeriun, se prej zemrës së njeriut dalin mendimet e liga, kurvëritë, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, grykësitë, ligësitë, dinakëria, fëlligështia, smira, fyerjet, mburrja e marrëzia. Të gjitha këto gjëra dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun». Jezui u nis prej aty e shkoi në krahinën e Tirit. Ai hyri në një shtëpi dhe kjo nuk mundi të mbetej e fshehtë, megjithëse Jezui nuk donte që të merrej vesh. Menjëherë një grua, bija e së cilës ishte e pushtuar nga një shpirt i ndyrë, dëgjoi të flitej për të dhe erdhi e i ra ndër këmbë. Kjo grua ishte helene, me prejardhje sirofenikase, dhe i lutej të dëbonte djallin prej së bijës. Dhe ai i tha: «Le të ngopen fëmijët më parë, se nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». Ajo u përgjigj: «Zot, edhe qentë nën tryezë hanë thërrimet e fëmijëve!». Atëherë ai i tha: «Për hir të fjalëve që the, shko! Djalli ka dalë prej bijës sate». Ajo u kthye në shtëpi dhe e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat. Djalli kishte dalë. Pastaj, ndërsa po kthehej nga krahina e Tirit, shkoi nëpër Sidon drejt liqenit të Galilesë, përmes krahinës së Dekapojës. Aty i sollën një të shurdhët që fliste me vështirësi e iu lutën të vinte duart mbi të. Si e ndau veç nga turma, ia vuri gishtat në veshë. Pastaj ia preku gjuhën me pështymë, ngriti sytë drejt qiellit, psherëtiu e i tha: «Effatha!», që do të thotë «Hapu!». Menjëherë atij iu hapën veshët, iu zgjidh gjuha e filloi të fliste rrjedhshëm. Jezui i porositi që të mos i tregonin askujt, por sa më shumë i porosiste, aq më shumë e shpallnin dhe, të mrekulluar tej mase, thoshin: «Të gjitha gjërat i ka bërë mirë. Ai i bën të shurdhët të dëgjojnë e memecët të flasin». Ato ditë u mblodh përsëri një turmë e madhe e meqë nuk kishin ç'të hanin, Jezui i thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nëse i nis në shtëpi të uritur, do të mbeten rrugës dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg». Por dishepujt iu përgjigjën: «E si mund t'i ngopim me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?». Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë». Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t'i shtronin dhe ata ia shtruan turmës. Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve t'i shtronin edhe këto. Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta. Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau. Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt e shkoi në krahinën e Dalmanutës. Atëherë erdhën farisenjtë e filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t'i jepet asnjë shenjë». Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër. Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë. Jezui i porositi: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e nga tharmi i Herodit». Por ata i thanë njëri-tjetrit: «Flet kështu, se nuk kemi bukë me vete». Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po thoni? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni e nuk merrni vesh? A ju është ngurtësuar zemra? Keni sy e nuk shikoni? Keni veshë e nuk dëgjoni? Nuk ju kujtohet vallë kur theva pesë bukët për pesë mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Dymbëdhjetë». «Po kur theva shtatë bukët për katër mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Shtatë». Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?». Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër e iu lutën ta prekte. Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij, i vuri duart dhe e pyeti: «A sheh gjë?». Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin». Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë. Jezui e dërgoi në shtëpi e i tha: «Mos hyr fare në fshat ». Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?». Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët». Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti». Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të. Ai filloi t'i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej. Ai ua tha haptas këto fjalë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë e filloi ta qortojë. Por Jezui u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin e i tha: «Largohu prej meje, Satan, se nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». Dhe thirri pranë vetes turmën bashkë me dishepujt e u tha: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim e të ungjillit, do ta shpëtojë atë. Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? Nëse dikush ka turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të pafe e mëkatare, po ashtu do të ketë turp për ta edhe Biri i njeriut kur të vijë me engjëjt e shenjtë në lavdinë e Atit të tij». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi». Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç'do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të». Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët!». Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë. Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje ». Pastaj u larguan që aty e kaluan nëpër Galile. Jezui nuk donte ta merrte vesh njeri. Ai po mësonte dishepujt e tij e u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe, pas tri ditësh, ai do të ngjallet». Por ata nuk i kuptuan këto fjalë e kishin frikë ta pyesnin. Arritën në Kafarnaum e kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, i pyeti: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?». Ata heshtën, se gjatë rrugës kishin biseduar se cili prej tyre ishte më i madhi. Pasi u ul, i thirri të dymbëdhjetët e u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve e shërbëtor i të gjithëve». Pastaj mori një fëmijë, e vuri mes tyre e duke e marrë në krahë, u tha: «Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar». Gjoni i tha Jezuit: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk vinte pas nesh». Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se askush nuk mund të flasë keq për mua sapo bën një vepër të fuqishme në emrin tim. Kush nuk është kundër nesh, është me ne. Nëse dikush do t'ju japë të pini një gotë ujë për shkak se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij». «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det. Nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre! Është më mirë të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenë, atje ku tenja nuk ngordh e zjarri nuk shuhet. Në të vërtetë, gjithçka do të kripet me zjarr. Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si do t'ia ktheni? Kini kripë në veten tuaj e jetoni në paqe me njëri-tjetrin». Jezui u largua që andej e shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit, e përsëri turmat u mblodhën pranë tij. Ai filloi përsëri t'i mësonte, siç e kishte zakon. Disa farisenj iu afruan dhe, për ta zënë në kurth, e pyetën: «A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan?». Jezui u përgjigj: «Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?». Ata i thanë: «Moisiu ka lejuar t'i shkruhet gruas fletëndarja e të lihet ». Jezui u tha: «Ai jua ka shkruar këtë urdhërim për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj, por që nga fillimi i krijimit Perëndia bëri mashkullin e femrën. Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e vet dhe të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk do të jenë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». Kur u kthyen në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën përsëri për këtë gjë. Ai u tha: «Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore ndaj saj, dhe kushdo që e ndan burrin e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore». Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan. Kur i pa, Jezui u zemërua e u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta. Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!». Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur». Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje». Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë ose atë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish, shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit e të fundit do të jenë të parët». Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t'u tregonte çfarë do t'i ndodhte: «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do t'ua dorëzojnë kombeve. Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet». Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan e i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë». Ai u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». Ata i thanë: «Na lejo që në lavdinë tënde të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde». Por Jezui u tha: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem unë?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën që do të pi unë do ta pini edhe ju e do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem edhe unë, por që të uleni në të djathtën a në të majtën time, nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre për të cilët janë përgatitur». Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me Jakobin e me Gjonin. Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se ata që e mbajnë veten si krerë të kombeve sundojnë mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve, sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi t'i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz». Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt e me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës. Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Jezui ndaloi e tha: «Thirreni!». Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret». Ai hodhi tej gunën, brofi më këmbë e shkoi te Jezui. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri». Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit. Kur iu afruan Jerusalemit, pranë Betfagës e Betanisë, afër malit të Ullinjve, Jezui dërgoi dy prej dishepujve e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e sapo të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç mbi të cilin nuk ka hipur ende askush. Zgjidheni e silleni! Nëse dikush ju thotë: “Ç'po bëni?”, i thoni: “Zoti ka nevojë për të e do t'jua kthejë përsëri”». Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, përjashta në rrugë, dhe e zgjidhën. Disa njerëz që po rrinin aty u thanë: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». Dy dishepujt u përgjigjën siç u kishte thënë Jezui dhe ata i lejuan. Pastaj e sollën kërriçin te Jezui, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. Shumë veta shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë shtruan degë të këputura nëpër fusha. Ata që ecnin përpara tij dhe ata pas tij, thërrisnin: « Hosana! Bekuar qoftë ai, që vjen në emër të Zotit! Bekuar qoftë mbretëria që vjen, mbretëria e Davidit, atit tonë! Hosana në lartësitë e qiejve!». Jezui hyri në Jerusalem e shkoi në tempull. Ai vështroi gjithçka rreth e rrotull dhe meqenëse tashmë ishte vonë, doli për të shkuar në Betani bashkë me të dymbëdhjetët. Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan. Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave e s'lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar: shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjitha kombet. Por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij. Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti. Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. Pjetri u kujtua e i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni e kështu do të bëhet. Kur erdhën përsëri në Jerusalem, Jezui po ecte në tempull dhe kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë iu afruan e i thanë: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet që t'i bësh këto gjëra?». Jezui u tha: «Unë do t'ju bëj vetëm një pyetje. Përgjigjmuni e do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. Pagëzimi i Gjonit, vinte prej qiellit apo prej njerëzve? Përgjigjmuni!». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po sikur të themi “prej njerëzve”». Por kishin frikë nga turma, se të gjithë e mbanin Gjonin për profet të vërtetë. Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra». Pastaj Jezui filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve e u largua në një vend të huaj. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që të merrte pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit. Vreshtarët e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarzbrazët. Atëherë ai dërgoi edhe një shërbëtor tjetër, por ata e goditën në kokë dhe e poshtëruan. Dërgoi edhe një tjetër, por edhe këtë e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, por disa i rrahën e disa i vranë. I kishte mbetur vetëm një, biri i tij i dashur. Në fund e dërgoi tek ata, duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të na mbetet neve”. Atëherë e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit. Ç'do të bëjë i zoti i vreshtit? Do të vijë, do t'i vrasë vreshtarët e do t'ua japë vreshtin të tjerëve. A nuk e keni lexuar këtë Shkrim: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ». Atëherë ata kërkonin ta kapnin, sepse e kuptuan se shëmbëlltyrën e kishte thënë kundër tyre, por kishin frikë nga turma, prandaj e lanë dhe ikën. Pastaj dërguan te Jezui disa nga farisenjtë e disa nga herodianët për ta zënë në kurth për ndonjë fjalë. Kur erdhën, i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush, u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo nuk duhet?». Por Jezui, duke e njohur hipokrizinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë? Më sillni një monedhë ta shoh!». Ata ia sollën. Atëherë ai u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Jezui u tha: «Jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Ata u mrekulluan me të. Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe kur vdiq nuk la fëmijë. Me të venë u martua edhe i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Po kështu edhe i treti e që të shtatë nuk lanë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». Jezui u tha: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Kur të ngjallen prej të vdekurve, njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiej. Sa për ngjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, në pjesën që flet për shkurren, sesi Perëndia i tha: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve. Gaboheni rëndë!». Një shkrues, që i kishte dëgjuar tek diskutonin, kur pa se u ishte përgjigjur drejt, e pyeti: «Cili është urdhërimi më i rëndësishëm?». Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde. Ndërsa urdhërimi i dytë është: duaje të afërtin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto». Shkruesi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij. Ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë forcë dhe të duash të afërtin si veten vlen më shumë se të gjitha shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet». Kur pa se iu përgjigj me mend, Jezui i tha: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë». Dhe askush nuk pati guxim ta pyeste më. Ndërsa po mësonte njerëzit në tempull, Jezui i pyeti: «E si mund të thonë shkruesit se Krishti është Biri i Davidit? Vetë Davidi ka thënë përmes Shpirtit të shenjtë: i tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua. Kur vetë Davidi e thërret Zot, si mund të jetë ai biri i tij?». Turma e madhe e dëgjonte me ëndje. Ndërsa i mësonte, u thoshte: «Ruhuni nga shkruesit që kënaqen kur mbajnë rroba të gjata, me qëllim që të tjerët t'i përshëndesin shesheve, që zënë vendet e para nëpër sinagoga e kryet e vendit nëpër festa, që përlajnë pasuritë e vejushave e luten gjatë për të rënë në sy. Këta do të marrin ndëshkim më të rëndë». Si u ul përballë arkës së thesarit, Jezui shikonte turmën që hidhte monedha të vogla në thesar. Shumë të pasur hidhnin shumë para. Aty erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha bakri, domethënë një kuadrant. Jezui thirri dishepujt e u tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi në arkën e thesarit më shumë se të gjithë të tjerët, sepse të gjithë dhanë nga tepricat e tyre, ndërsa ajo, në varfërinë e saj, dha gjithçka që kishte për të jetuar». Kur dolën nga tempulli, njëri prej dishepujve i tha: «Mësues, shiko ç'gurë e ç'ndërtesa!». Jezui i tha: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Kur u ul në malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andrea e pyetën Jezuin veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se të gjitha ato do të përmbushen?». Atëherë Jezui filloi t'u thoshte: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri. Shumë veta do të vijnë në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. Kur të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Në disa vende do të ketë tërmete e zi buke. Ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Por kini kujdes për veten, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju rrahin nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t'ju nxjerrin të dëshmoni para princave e mbretërve. Por më parë ungjilli duhet t'u predikohet të gjitha kombeve. Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çfarë do të thoni, por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, se nuk do të jeni ju ata që flisni, por Shpirti i shenjtë. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet». «Por kur të shihni tmerrin e shkretimit që qëndron atje ku nuk i takon, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër, sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, e të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë. Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë që do të bëjnë shenja e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit. Por kini kujdes! Unë ju paralajmërova për të gjitha». «Në ato ditë, pas pikëllimit, dielli do të errësohet e hëna nuk do të ndriçojë. Yjet do të bien nga qielli e pushtetet që janë në qiell do të tranden. Pastaj do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet të madh e me lavdi. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, prej skajeve të dheut deri te skajet e qiellit». «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Kini kujdes e rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë koha. Kjo është si puna e atij njeriut që niset për rrugë. Ai largohet nga shtëpia, i cakton secilit shërbëtor punën e vet dhe e urdhëron rojtarin e derës të rrijë zgjuar. Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë, në mbrëmje a në mesnatë, në agim a në mëngjes, që nëse vjen befasisht, të mos ju gjejë në gjumë. Atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!». Pas dy ditësh ishte Pashka dhe festa e Bukëve të ndorme. Kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin sesi ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull». Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit. Aty gjendeshin disa veta që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës? Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë e këto t'u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan. Por Jezui u tha: «Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. Të varfrit i keni gjithmonë me ju e mund t'u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë. Ajo bëri çfarë mundi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim. Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri». Atëherë Judë Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë, që t'ua dorëzonte Jezuin. Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan e i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar. Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?». Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij e u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni e atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”. Dhe në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën». Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën. Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët. Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë». Ata filluan të trishtohen e i thoshin një nga një: «Mos jam unë?». Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre e tha: «Merrni, ky është trupi im». Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj. Dhe u tha: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes, që derdhet për shumë njerëz. Në të vërtetë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë». Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve. Jezui u tha: «Ju të gjithë do të bini, sepse është shkruar: do ta godas bariun e delet do të shpërndahen. Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë bien, unë nuk do të bie». Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë. Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem». Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë e ankth. Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar». Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe e lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh. Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty. Largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti». Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur e i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». U largua sërish e u lut, duke thënë të njëjtat fjalë. Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t'i përgjigjeshin. Pastaj erdhi për të tretën herë e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni e ruajeni mirë!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi. Atëherë ata e kapën dhe e ndalën. Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet». Atëherë të gjithë e braktisën e ikën. Një i ri, i mbështjellë vetëm me një copë prej liri, po e ndiqte. Rojat e kapën, por ai lëshoi copën prej liri e iku lakuriq. Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e shkruesit. Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, e u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit. Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin. Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin. Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij e thanë: «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut e për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”». Por as dëshmia e tyre nuk përkonte. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui heshti e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?». Jezui iu përgjigj: «Unë jam. Do të shihni Birin e njeriut ulur në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit ». Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje. Disa filluan ta pështynin, t'i mbulonin fytyrën e ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit». Por ai e mohoi e tha: «Nuk po e marr vesh e as nuk po e kuptoj se ç'thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli. Shërbëtorja e pa e filloi t'u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre». Por ai e mohoi përsëri. Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, se je galileas ». Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni». Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç'i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante. Në mëngjes herët kryepriftërinjtë së bashku me pleqtë, shkruesit dhe gjithë sinedrin, pasi u këshilluan, e lidhën Jezuin, e morën e ia dorëzuan Pilatit. Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». Ndërkaq kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra. Dhe Pilati e pyeti përsëri: «Nuk po jep asnjë përgjigje? Shiko për sa gjëra po të padisin». Por Jezui nuk iu përgjigj për asgjë, gjë që e çuditi shumë Pilatin. Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje. Atëherë erdhi turma e filloi t'i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta. Pilati i pyeti: «A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?». Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira. Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën. Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?». Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!». Por Pilati u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!». Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin. Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë. Pastaj filluan t'i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij. Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Pastaj e kryqëzuan dhe hodhën short për të ndarë rrobat e tij, që të shihnin çfarë do t'i binte secilit. Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan. Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve». Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin. Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eloi, Eloi lema sabakthani? » që e përkthyer do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? ». Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur». Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë. Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja, të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem. Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës. Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur. Pasi u njoftua nga kryeqindësi, ia dha kufomën Jozefit. Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit. Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin. Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Salomeja blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit. Të dielën, herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli. Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?». Por panë e vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh. Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë që rrinte ulur në të djathtë e u shtangën. Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë. Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij e Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë». Ato dolën e ikën nga varri, se ishin të frikësuara e të tmerruara. Nga frika nuk i thanë gjë askujt. Pasi u ngjall në mëngjesin e së dielës, Jezui iu shfaq në fillim Maria Magdalenës, prej së cilës kishte dëbuar shtatë djaj. Kjo shkoi të lajmëronte ata që kishin ndenjur me të që ishin në zi e vajtonin. Kur dëgjuan se Jezui ishte gjallë dhe se ajo e kishte parë, ata nuk deshën ta besonin. Pas këtyre, Jezui iu shfaq në një trajtë tjetër dy dishepujve që po ecnin drejt fshatit. Edhe ata u kthyen për të lajmëruar të tjerët, por as këtyre nuk deshën t'u besonin. Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve, ndërsa po hanin, e i qortoi për mosbesimin e tyre e për ngurtësinë e zemrës, ngaqë nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ngjallur. Jezui u tha: «Shkoni në të gjithë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese. Ai që do të besojë e do të pagëzohet, do të shpëtojë; por ai që nuk do të besojë, do të dënohet. Këto do të jenë shenjat që do të shoqërojnë ata që besojnë: do të dëbojnë djaj në emrin tim, do të flasin gjuhë të reja, do të marrin gjarpërinj në duar dhe, po të pinë ndonjë helm, nuk do t'u bëjë dëm, do të vënë duart mbi të sëmurët e këta do të shërohen». Zoti Jezu, pasi foli me ta, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë. Atëherë ata u nisën e predikuan kudo, ndërsa Zoti vepronte së bashku me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Përderisa shumë veta kanë marrë përsipër të rrëfejnë ngjarjet që janë përmbushur ndër ne, siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi, edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t'i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil, me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë. Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë. Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t'u vijë koha». Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. Por kur doli, ai nuk mundi t'u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve». Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty ». Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj. Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». Maria tha: «Gjithë qenia ime e madhëron Zotin dhe shpirti im ngazëllehet për Perëndinë, shpëtimtarin tim, sepse ai hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së vet dhe, ja, të gjitha breznitë do të më quajnë të lume. Gjëra të mëdha ka bërë për mua i fuqishmi. I shenjtë është emri i tij. Mëshira e tij zgjat nga breznia në brezni për ata që e druajnë. Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij, hodhi poshtë ata që mburreshin me mendimet e zemrës së tyre, rrëzoi të fuqishmit nga froni dhe lartësoi të përulurit. Të uriturit i mbushi me të mira, ndërsa të pasurit i nisi duarzbrazët. E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke sjellë ndër mend mëshirën, siç u kishte thënë etërve tanë, Abrahamit, dhe pasardhësve të tij përgjithmonë». Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet. Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t'i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç'emër donte t'i vinte. Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç'do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të. Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, se erdhi dhe shpengoi popullin e tij. Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, siç e kishte thënë me gojën e profetëve të tij të shenjtë që prej shekujsh; shpëtim nga armiqtë tanë dhe nga dora e të gjithëve atyre që na urrejnë, për të treguar mëshirë me etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë; për betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë, për të na lejuar që, pasi të na çlironte nga duart e armiqve tanë, t'i shërbenim pa frikë, në shenjtëri e në drejtësi para tij për të gjitha ditët e jetës sonë. Dhe ti, foshnjë, do të quhesh profet i të Tejlartit, se do të ecësh përpara Zotit për të përgatitur udhët e tij, për t'i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve, falë dhembshurisë së mëshirshme të Perëndisë tonë, me të cilën do të na vijë së larti agimi, që shndrit mbi ata që rrinë në errësirë e në hijen e vdekjes dhe për të drejtuar hapat tanë në udhën e paqes». Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t'i dëftohej Izraelit. Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë. Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë. Të gjithë shkonin për t'u shënuar, secili në qytetin e vet. Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit, për t'u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë. Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta. Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre. Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot. Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd». Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu: «Lavdi i qoftë Perëndisë në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i ka për zemër». Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti». Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd. Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën. Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve. Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj. Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë. Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej. Kur erdhi koha e pastrimit të tyre në tempull, sipas ligjit të Moisiut, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në Jerusalem për t'ia paraqitur Zotit, siç është shkruar në ligjin e Zotit: çdo djalë i parë do t'i kushtohet Zotit dhe për të kushtuar flinë siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël. Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të. Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit. I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit, Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu: «Tani, o Zot, lëre shërbëtorin tënd të shkojë në paqe, sipas fjalës sate, se me sytë e mi e pashë shpëtimin tënd që ti e përgatite në sytë e të gjithë popujve, dritë për të ndriçuar kombet e lavdi për popullin tënd, Izraelin». I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin». Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit. Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të. Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës. Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit. Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t'u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë. Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit, por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste. Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij. Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth». Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?». Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij. Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër. Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve. Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij, Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë e Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës dhe kryepriftërinj ishin Hanahu e Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë. Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. Siç është shkruar në librin e profetit Isai: një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Çdo luginë le të mbushet e çdo mal e kodër le të rrafshohet. Drejtoni udhët e shtrembra e rrafshoni rrugët e ashpra. Çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Perëndisë. Gjoni u thoshte turmave që vinin për t'u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi e mos filloni t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr». Turmat e pyetën: «Ç'duhet të bëjmë, atëherë?». Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t'ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu». Erdhën për t'u pagëzuar edhe tagrambledhësit e i thanë: «Mësues, ç'duhet të bëjmë?». Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç'ju është ngarkuar». Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç'duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë e duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj». Populli ishte në pritje dhe të gjithë mendonin në zemrat e tyre se mos Gjoni ishte Krishti. Atëherë Gjoni u tha: «Unë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen dikush më i fuqishëm se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. Ai e mban në dorë terploten për ta ndarë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunarin e tij, ndërsa kashtën do ta djegë në zjarrin që nuk shuhet kurrë». Gjoni ia shpallte lajmin e mirë popullit edhe me shumë porosi të tjera. Herod Tetrarku, të cilin Gjoni e kishte qortuar për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të vet, si edhe për të gjitha të këqijat që kishte bërë, bëri edhe këtë të keqe: e futi Gjonin në burg. Kur u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jezui dhe kur po lutej, u hap qielli e mbi të zbriti Shpirti i shenjtë me trajtë trupore si pëllumb. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur». Kur Jezui filloi shërbesën, ishte rreth tridhjetë vjeç. E pandehnin të birin e Jozefit. Jozefi ishte biri i Eliut, të birit të Matatit, të birit të Levit, të birit të Melkiut, të birit të Janait, të birit të Jozefit, të birit të Matatisë, të birit të Amosit, të birit të Naumit, të birit të Esliut, të birit të Nagait, të birit të Mahatit, të birit të Matatisë, të birit të Semeinit, të birit të Josekut, të birit të Jodait, të birit të Johananit, të birit të Resës, të birit të Zorobabelit, të birit të Salatielit, të birit të Nerit, të birit të Melkiut, të birit të Adiut, të birit të Kosamit, të birit të Elmadamit, të birit të Erit, të birit të Jozuehut, të birit të Eliezerit, të birit të Jorimit, të birit të Matatit, të birit të Levit, të birit të Simeonit, të birit të Judës, të birit të Jozefit, të birit të Jonamit, të birit të Eliakimit, të birit të Meleas, të birit të Menait, të birit të Matatait, të birit të Natamit, të birit të Davidit, të birit të Jeseut, të birit të Jobedit, të birit të Boozit, të birit të Salait, të birit të Naasonit, të birit të Aminadabit, të birit të Adminit, të birit të Arnit, të birit të Esromit, të birit të Faresit, të birit të Judës, të birit të Jakobit, të birit të Isakut, të birit të Abrahamit, të birit të Tarait, të birit të Nahorit, të birit të Serukut, të birit të Ragaut, të birit të Falekut, të birit të Eberit, të birit të Salait, të birit të Kainamit, të birit të Arfaksadit, të birit të Semit, të birit të Noeut, të birit të Lamekut, të birit të Metusalait, të birit të Enokut, të birit të Jaretit, të birit të Maleleelit, të birit të Kainamit, të birit të Enout, të birit të Setit, të birit të Adamit, të birit të Perëndisë. Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë ». Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». Dhe Jezui i tha: «Është shkruar: adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij ». Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, sepse është shkruar: do t'i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë dhe: do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur ». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ». Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe. Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin. Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: « Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t'u shpallur ungjillin të varfërve. Më ka dërguar për t'u shpallur robërve lirinë e për t'u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ». E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj». Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria». Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua. Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet. Në sinagogë gjendej një njeri që ishte i pushtuar nga shpirti i një djalli të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë: «Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar. Të gjithë u mrekulluan e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin». Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina. Jezui u ngrit, doli nga sinagoga e shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte. Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë e filloi t'u shërbente. Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte. Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte e nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti. Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre, por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar». Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë. Jezui gjendej pranë liqenit të Gjenesaretit dhe turma shtyhej drejt tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat. Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul e mësonte turmën nga varka. Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko tej në thellësi e hidhni rrjetat për peshkim». Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, por për hir të fjalës sate do t'i hedh rrjetat». Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat. Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër të vinin e t'i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin. Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit e tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar». Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë. Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, të afërm të Simonit. Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë! Që tani do të jesh peshkatar njerëzish». Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka e shkuan pas Jezuit. Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys e iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë. Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt e i tha: «Shko e paraqitu te prifti e kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t'u shërbejë si dëshmi». Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Por ai u tërhoq në vende të shkreta e lutej. Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte. Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij, por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet». Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?. Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme». Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas. Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë. Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?». Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen». Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë». Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijnë ditët kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë». Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t'i përshtatet së vjetrës. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t'i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj. Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”». Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t'i hajë askush përveç priftërinjve?». Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t'i bënin Jezuit. Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t'u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar. Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte. Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha: «Lum ju që jeni të varfër, se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë! Lum ju që tani keni uri, se do të ngiheni! Lum ju që tani qani, se do të qeshni! Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë, kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë, kur të shpifin për ju për shkak të Birit të njeriut! Kur të vijë ajo ditë, gëzohuni e kërceni, se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell. Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët. Por mjerë ju të pasur, se e keni marrë ngushëllimin tuaj! Mjerë ju që jeni të nginjur tani, se do të keni uri! Mjerë ju që tani qeshni, se do të trishtoheni e do të qani! Mjerë ju kur të gjithë të flasin mirë për ju! Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë». «Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t'ju bëjnë juve. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t'jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t'ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj». «Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni. Falni e do të faleni. Jepni e do t'ju jepet. Do t'ju vënë në prehër një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur e të begatë, sepse me masën që do të matni, do të mateni». Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra: «A mund t'i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë? Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij. Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? Si mund t'i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk pikat traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd». «Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija e as pemë të kalbur që jep fryte të mira. Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat e as rrush nga shkurret. Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij dhe njeriu i keq nxjerr të keqen nga thesari i tij i keq, sepse ç'ka zemra, nxjerr goja ». «Përse më thërrisni “Zot, Zot” e nuk bëni çfarë ju them unë? Po ju tregoj kujt i ngjan ai që vjen tek unë dhe që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia. Ai i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë e i hodhi themelet në shkëmb. Kur erdhi përmbytja, lumi vërshoi drejt asaj shtëpie, por nuk e tundi dot vendit, se shtëpia ishte ndërtuar mirë. Ndërsa ai që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhe, pa themele. Kur vërshoi lumi, ajo u shemb menjëherë e i madh qe shkatërrimi i saj». Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t'i luteshin të vinte për t'i shëruar shërbëtorin. Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t'i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. Prandaj nuk m'u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh». Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar. Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga një turmë e madhe. Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte. Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!». Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!». I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma. Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe: «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet». Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth. Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë». Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. Gjoni është ai për të cilin është shkruar: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde. Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai». Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni. Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni. Pastaj Jezui tha: «Me kë t'i krahasoj njerëzit e kësaj breznie, me kë ngjajnë? Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen shesheve dhe i thërrasin njëri-tjetrit e i thonë: “I ramë fyellit për ju e nuk kërcyet, vajtuam e ju nuk qatë”. Erdhi Gjon Pagëzori, që as ha bukë e as pi verë, e ju thoni: “Është i pushtuar nga djalli”. Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por urtia e Perëndisë del e drejtë nga të gjithë bijtë e saj». Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë. Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t'ia lagte këmbët me lot e t'ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t'ia puthte këmbët e t'ia lyente me mirrë. Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare». Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë». Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues». I tha: «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë. Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?». Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh». E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt». Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m'i lau me lotët e saj e m'i thau me flokët e saj. Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia sapo hyra brenda. Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m'i leu këmbët me mirrë. Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri». Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet». Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që falka edhe mëkatet?». Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe». Pas këtyre gjërave Jezui shkoi nëpër qytete e fshatra duke predikuar e duke shpallur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe të dymbëdhjetët ishin me të. Ishin edhe disa gra që Jezui i kishte shëruar nga shpirtrat e këqij e nga sëmundjet: Maria, që quhej Magdalenë, prej së cilës ishin dëbuar shtatë djaj, Joana, gruaja e Kuzait, kujdestarit të pasurisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që kishin vënë pasuritë e veta në shërbim të Jezuit e të dishepujve. Kur u mblodh një turmë e madhe me njerëz që vinin tek ai nga qytete të ndryshme, Jezui foli me shëmbëlltyra: «Një mbjellës doli për të mbjellë farën. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe njerëzit i shkelën e zogjtë e qiellit i hëngrën. Disa të tjera ranë në gurishtë e sapo mbinë, u thanë se nuk kishin ujë. Disa të tjera ranë ndër ferra. Ferrat u rritën së bashku me to e ua zunë frymën. Por disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, kur u rritën, prodhuan njëqindfish». Pastaj tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!». Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë. Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që të kenë sy e të mos shohin dhe të dëgjojnë e të mos kuptojnë ». «Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë. Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen. Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin. Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria e kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen. Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte». «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë. Kini kujdes sesi dëgjoni, se atij që ka do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo pak që mendon se ka». E ëma dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës. Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin». Por ai u tha: «Nëna ime e vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë». Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën. Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik. Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan e i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi». Ai u zgjua dhe qortoi erën e dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë. Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?». Ata ishin të trembur e të mahnitur e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?». Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve, që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt. Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui. Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur. Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë ». Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe». Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur. Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t'i jepnin për të ngrënë. Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur. Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre». Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo. Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte. Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim. Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t'ia shtronin turmës. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke. Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë». Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë». Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t'u lutur. Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem. Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të. Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë. Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe. Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm! Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij. Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën». Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sille këtu tët bir!». Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit. Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë. Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve: «Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve». Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin. Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi. Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë. Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi». Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne». Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju». Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin, por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit. Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t'i përpijë?». Por Jezui u kthye e i qortoi. Pastaj shkuan në një fshat tjetër. Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh». Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën». Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!». Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë». Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë». Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë». Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet e në çdo vend ku do të shkonte ai vetë. Dhe u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqve. Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd. Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju. Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t'ju shtrojnë para, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën. Në çdo qytet ku të hyni e t'ju mirëpresin, hani çfarë t'ju vënë para, shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush”. Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni: “Edhe pluhurin e qytetit tuaj, që na është ngjitur këmbëve, po jua shkundim. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër”. Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet». «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi. Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë, se ju në ditën e gjykimit. Po ti, Kafarnaum, mos vallë do të lartësohesh deri në qiell? Në skëterrë do të plandosesh. Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar». Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim e i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!». Jezui u tha: «E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe. Ja, ju kam dhënë pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t'ju bëjë keq. Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell». Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i shenjtë e tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë». Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve e u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju! Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan». Atëherë një mësues i ligjit u ngrit për ta vënë në provë Jezuin e i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligj? Çfarë lexon atje?». Ai iu përgjigj: « Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje të afërtin si veten ». Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh». Por ai, meqenëse donte t'i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është i afërti?». Jezui iu përgjigj: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur. Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër. Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër. Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të. Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të. Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër”. Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “i afërti” për atë që ra në duart e kusarëve?». Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë». Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!». Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Martë e priti në shtëpi. Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij. Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t'i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!». Por Zoti iu përgjigj: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar dhe e zënë me shumë gjëra, por vetëm një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë që nuk do t'i merret». Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». Ai u tha: «Kur të luteni thoni: Atë, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote! Bukën tonë të përditshme na e jep çdo ditë e na i fal mëkatet tona, se edhe ne ua falim detyronjësve tanë. E mos na vër në sprovë ». Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij. Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep? Nëse ju që jeni të këqij, dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t'ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!». Jezui po dëbonte një djall, i cili ishte memec. Kur u dëbua djalli, memeci foli e turmat u mrekulluan. Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve». Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës. Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit? Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj. Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju. Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt. Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën e u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur. Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan». «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje e kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola”. Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar. Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja». Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!». Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!». Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte: «Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait. Sikurse Jonai u bë shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni. Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t'i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni. Njerëzit e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai». «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë. Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë. Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij». Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë. Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante. Atëherë Zoti i tha: «Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi. Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen? Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme e kështu do të keni të pastër gjithçka. Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë e dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe! Mjerë ju, që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur». Njëri nga mësuesit e ligjit iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra». Por Jezui i tha: «Mjerë edhe ju, mësues të ligjit, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t'i mbajtur! Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë! Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret. Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t'u dërgoj profetë e apostuj, por ata do t'i vrasin e disa do t'i përndjekin”, që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës, që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e shenjtërores. Po, po ju them, se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni. Mjerë ju, mësues të ligjit, se e keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por penguat edhe të tjerët të hyjnë». Kur Jezui doli, shkruesit dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh, duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte. Atëherë, ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur turmë, aq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jezui filloi t'u fliste më parë dishepujve të vet: «Ruhuni nga tharmi i farisenjve që është hipokrizia. Nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s'do të merret vesh. Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë e çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë». «Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër. Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t'ju hedhë në Gehenë. Po, po ju them, nga ky të keni frikë. A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela». «Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë. Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë. Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet. Kur t'ju dërgojnë para sinagogave, krerëve e pushtetarëve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni. Shpirti i shenjtë do t'ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast». Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua». Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?». Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij». Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. E do t'i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t'i mbeten?”. Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë». Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t'jua japë edhe ato. Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t'jua japë mbretërinë. Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj». «Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t'i hapur derën sapo të trokasë. Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t'u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t'u shërbejë. Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut». Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak. Kujt i është dhënë shumë, do t'i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t'i kërkohet edhe më shumë». «Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. Do të ndahen ati nga i biri dhe biri nga i ati, nëna nga e bija dhe bija nga e ëma, vjehrra nga nusja dhe nusja nga e vjehrra». Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t'i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?». «Pse nuk gjykoni vetë se ç'është e drejtë? Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit». Në atë kohë erdhën disa njerëz te Jezui e i treguan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve. Jezui i pyeti: «A mendoni se galileasit që vuajtën këtë gjë ishin më mëkatarë se galileasit e tjerë? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata. Po për ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloamit e i vrau, a mendoni se ishin fajtorë më të mëdhenj se njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata». Pastaj Jezui tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij. Erdhi të kërkonte ndonjë fryt në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, erdha tre vjet me radhë të kërkoja ndonjë fryt nga ky fik, por ende nuk kam gjetur asnjë. Prije! Pse ta zërë tokën kot?”. Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj, se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, prije”». Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t'u shëruar e jo ditën e shtunë». Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t'i dhënë ujë? Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai. Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj? Ajo ngjan me farën e sinapit që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj». Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi». Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit. Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?». Atëherë Jezui i tha: «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini”. Atëherë do të filloni të thoni: “Kemi ngrënë e kemi pirë me ty e ti na ke mësuar nëpër sheshe”. Por ai do t'ju thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi”. Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t'ju kenë hedhur përjashta. Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë. Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit». Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë». Dhe Jezui u tha: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time. Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit”. Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni: bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! ». Një të shtunë Jezui shkoi për të ngrënë në shtëpinë e njërit prej kryetarëve të farisenjve dhe ata po e vëzhgonin me kujdes. Përballë Jezuit gjendej një njeri që vuante nga hidropizia. Jezui i pyeti mësuesit e ligjit dhe farisenjtë: «A lejohet të shërosh ditën e shtunë, apo jo?». Por ata heshtën. Atëherë Jezui e preku të sëmurin, e shëroi dhe e lejoi të shkonte. Pastaj u tha atyre: «Kush është ai që, po t'i binte fëmija apo kau në pus ditën e shtunë, nuk do ta nxirrte menjëherë?». Ata nuk mundën t'i përgjigjeshin. Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë: «Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “Lërja këtë vend këtij”. Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit. Por kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet». Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha: «Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh. Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve». Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!». Por Jezui i tha: «Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta. Kur erdhi koha e darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thoshte atyre që kishte ftuar: “Ejani, se çdo gjë është gati”. Por të gjithë, njëri pas tjetrit, filluan të gjenin shkaqe për të mos shkuar. I pari i tha: “Kam blerë një copë tokë e më duhet të dal e ta shoh. Të lutem më ndje!”. Dikush tjetër tha: “Unë kam blerë pesë pendë qe e po shkoj t'i provoj. Të lutem më ndje!”. Dikush tjetër tha: “Sapo jam martuar, prandaj nuk mund të vij”. E kështu shërbëtori u kthye dhe e njoftoi të zotin për të gjitha. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua e i tha shërbëtorit të vet: “Dil menjëherë në sheshet e në rrugët e qytetit e sill këtu të varfrit, të kërrusurit, të verbrit e të çalët”. Dhe shërbëtori i tha: “Zotëri, bëmë siç urdhërove dhe ka prapë vend”. Atëherë i zoti i tha shërbëtorit: “Dil nëpër rrugë e shtigje dhe detyroji njerëzit të hyjnë brenda, që të mbushet shtëpia ime”. Unë po ju them: asnjë nga ata që ishin të ftuar nuk do ta shijojë darkën time». Jezuin po e ndiqnin turma të mëdha, por ai u kthye e u tha: «Kush vjen pas meje dhe nuk e urren të atin e të ëmën, gruan e fëmijët, vëllezërit e motrat, madje edhe vetë jetën e tij, nuk mund të jetë dishepulli im. Kush nuk e mbart kryqin e vet për të ardhur pas meje, nuk mund të jetë dishepulli im. Kush nga ju, nëse dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të bëjë llogaritë për të parë a ka sa i duhen për ta mbaruar? Përndryshe, nëse i ka hedhur themelet e nuk është në gjendje ta përfundojë, ata që e shohin do të fillojnë ta tallin e do t'i thonë: “Ky njeri filloi të ndërtonte, por nuk qe i zoti ta mbaronte”. Ose, cili mbret, kur del në luftë për t'u ndeshur me një mbret tjetër, nuk ulet më parë të shqyrtojë a është i aftë që me dhjetë mijë veta t'i bëjë ballë atij që vjen me njëzet mijë? Atëherë, nëse nuk mundet, i dërgon një përfaqësi për t'i kërkuar kushtet e paqes ndërsa ai është ende larg. Prandaj, asnjëri nga ju nuk mund të bëhet dishepulli im nëse nuk heq dorë nga tërë pasuria që zotëron». «Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si mund ta rifitojë atë? Nuk është e përshtatshme më as për tokën, as për plehun, por vetëm për t'u hedhur. Kush ka veshë, le të dëgjojë». Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët po i afroheshin Jezuit për ta dëgjuar. Farisenjtë dhe shkruesit murmurisnin e thoshin: «Ky pranuaka mëkatarët e ha me ta». Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Cili nga ju, nëse ka njëqind dele e njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar. Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur”. Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen». «Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë? E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur”. Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet». Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve. Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t'i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”. Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin. Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. Ai iu përgjigj: “Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. Atëherë ai u zemërua e nuk pranoi të hynte. I ati doli përjashta për t'iu lutur, por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi. Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja. Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”». Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë. Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestar i pasurisë”. Kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç'të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp. E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre”. Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”. Ai i tha: “Njëqind masa vaj”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë”. Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”. Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë”. Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, se kishte vepruar me zgjuarsi. Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t'ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara. Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë. Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t'jua besojë pasuritë e vërteta? Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t'jua japë atë që është juaja? Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë». Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin. Atëherë ai u tha: «Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë. Ligji e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdha. Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t'i hiqet ligjit qoftë edhe një pikë. Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore». «Ishte një njeri i pasur që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm e jetonte çdo ditë në kamje. Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët. I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin. Edhe pasaniku vdiq e u varros. Në skëterrë, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri. Atëherë tha me zë të lartë: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazarin ta ngjyejë gishtin në ujë e të më freskojë gjuhën, se këto flakë po më mundojnë”. Por Abrahami i tha: “Biri im, kujtohu se ti i more të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazari mori të këqijat. Tani ky gëzon këtu, ndërsa ti vuan. Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që ata që do të donin të kalonin që këndej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne”. Pasaniku i tha: “Atëherë, o atë, po të lutem ta dërgosh te shtëpia e tim eti, se kam pesë vëllezër. Le t'i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh”. Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun e profetët. Ata duhet të dëgjojnë”. Ai tha: “Jo, atë Abraham, por nëse shkon dikush nga të vdekurit, do të pendohen”. Abrahami i tha: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun e profetët, atëherë nuk do të binden edhe sikur dikush të ngjallet prej të vdekurve”». Jezui u tha dishepujve të vet: «Është e pamundur të mos vijnë pengesat, por mjerë kush i shkakton! Për të do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det, sesa t'u bëhej pengesë këtyre të vegjëlve. Kini kujdes! Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje. Nëse pendohet, fale. Nëse mëkaton kundër teje shtatë herë në ditë e shtatë herë kthehet e të thotë “pendohem”, fale». Atëherë apostujt i thanë Zotit: «Na e shto besimin!». Dhe Zoti u tha: «Po të kishit besim sa fara e sinapit, do t'i thoshit këtij mani “shkulu që këtu e mbillu në det” dhe ai do t'ju bindej. Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t'i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë”? A nuk do t'i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti”? Mos vallë e falënderon shërbëtorin, sepse bëri detyrën? Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”». Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë. Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg e thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!». Jezui i pa e u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë». Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan. Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan. Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë? Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t'i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?». Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi». Një herë, kur farisenjtë e pyetën Jezuin se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Jezui u përgjigj: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me bujë. Nuk do të thonë: “Ja ku është këtu!” apo: “Ja atje!”. Sepse Mbretëria e Perëndisë është brenda jush». Jezui u tha dishepujve: «Po vijnë ditë në të cilat do të dëshironi të shihni njërën nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. Atëherë do t'ju thonë: “Ja ku është atje!” apo: “Ja këtu!”. Mos shkoni atje e mos i ndiqni! Sikurse vetëtima shkëlqen nga qielli dhe e ndriçon atë nga njëri skaj në tjetrin, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij. Por më parë ai duhet të vuajë shumë dhe nuk do të pranohet nga kjo brezni. Dhe sikurse ndodhi në ditët e Noeut, kështu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. Në atë kohë njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin deri ditën kur Noeu hyri në arkë e pastaj erdhi përmbytja e përmbyti gjithçka. Sikurse ndodhi edhe në ditët e Lotit, njerëzit hanin e pinin, blinin e shisnin, mbillnin e ndërtonin, por ditën kur Loti u largua nga Sodoma, ra zjarr e squfur nga qielli e i vrau të gjithë, kështu do të ndodhë atë ditë kur do të shfaqet Biri i njeriut. Nëse atë ditë dikush do të ndodhet mbi çati, por do t'i ketë gjërat e veta në shtëpi, të mos zbresë për t'i marrë. Dhe nëse dikush do të ndodhet në arë, as ai të mos kthehet. Kujtoni gruan e Lotit! Kush mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që do ta humbasë jetën e vet, do ta shpëtojë atë. Unë po ju them: atë natë, prej dy vetave që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. Pastaj e pyetën: «Po ku, o Zot?». Ai u tha: «Ku është kufoma, mblidhen edhe skifterët». Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t'u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë. Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit. Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”. Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit, meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t'ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”». E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë. Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t'i ndihmojë? Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?». Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Dy njerëz shkuan për t'u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”. Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”. Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet». Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t'i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin. Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur. Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë». Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër». Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet. Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet». Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha. Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte. Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte. Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit». Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!». Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë. Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish». Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur». Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”». Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem. Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni. Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”». Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai. Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të». Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. Ata thoshin: « Bekuar qoftë mbreti që vjen në emër të Zotit! Paqe në qiell e lavdi në lartësitë e qiejve!». Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin». Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar». Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty. Dhe u tha: «Është shkruar: shtëpia ime është shtëpi lutjeje, por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin, por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte. Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull e po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, shkruesit dhe pleqtë e i thanë: «Na thuaj, me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni, pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet». Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra». Jezui filloi t'i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira e u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t'i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët. Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët. Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan. Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt”. Por kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona”. Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë. Çfarë do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit? Ai do të vijë e do t'i vrasë ata vreshtarë e do t'ua japë vreshtin të tjerëve». Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!». Por Jezui hodhi sytë drejt tyre e tha: «Çfarë do të thotë ky Shkrim: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes? Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë». Shkruesit dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli. Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t'ia dorëzonin parisë e pushtetit të qeveritarit. Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk ndikohesh nga njeri, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguajmë taksa Cezarit apo jo?». Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre e u tha: «Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë para popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën. Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan pa fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa lënë fëmijë. I dyti e pastaj i treti u martuan me gruan e tij dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë kur vdiqën. Në fund vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». Jezui u tha: «Bijtë e kësaj bote martohen e martojnë, por ata që janë vlerësuar të denjë t'i përkasin botës tjetër e të arrijnë ngjalljen prej të vdekurve, as martohen, as martojnë. Ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, meqenëse janë bij të ngjalljes. Edhe Moisiu e ka treguar se të vdekurit do të ngjallen kur, te shkurrja, e quan Zotin, Perëndi të Abrahamit, Perëndi të Isakut e Perëndi të Jakobit. Pra, ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Perëndinë». Atëherë disa nga farisenjtë i thanë: «Mësues, fole mirë». Dhe nuk guxonin ta pyesnin më. Pastaj Jezui u tha: «Si mund të thonë se Krishti është Biri i Davidit? Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve: i tha Zoti, Zotit tim: ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu si shtrojë e këmbëve të tua. Nëse Davidi e quan Zot, si mund të jetë ai biri i tij?». Kur gjithë populli po dëgjonte, Jezui u tha dishepujve të vet: «Ruhuni nga shkruesit, të cilëve u pëlqen të shëtisin me veshje të gjata e dëshirojnë t'i përshëndesin nëpër sheshe, të zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe vendet e nderit nëpër festa. Ata përlajnë gjithçka nga shtëpitë e vejushave e thonë lutje të gjata për t'u dukur. Kështu, ata do të marrin një dënim më të rëndë». Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar». Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë». Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kështu do të mund të dëshmoni. Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj». «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve». «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër». Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut». Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej mali i Ullinjve. Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull. Ndërkaq po afrohej festa e Bukëve të ndorme që quhet Pashkë. Kryepriftërinjtë dhe shkruesit po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli. Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot e që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve. Ky shkoi për t'u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t'ua dorëzonte Jezuin. Ata u gëzuan shumë e ranë në një mendje për t'i dhënë para. Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t'ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma. Kur erdhi dita e festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin e u tha: «Shkoni e bëni përgatitjet që të hamë Pashkën». Ata e pyetën: «Ku dëshiron ta përgatisim?». Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai e i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. Në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën». Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën. Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me apostujt. Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj, sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë». Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit e tha: «Merreni e ndajeni këtë mes jush. Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë». Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim». Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju. Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë. Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton». Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre do ta bënte këtë gjë. Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben. Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit». «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t'ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh». Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t'i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft». Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë. Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim». Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi. Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës». Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli. Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim. Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje kush të goditi?». Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera. Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj». Por Jezui u tha: «Po t'jua them, nuk do të më besoni, dhe po t'ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm ». Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?». Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam». Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij». Atëherë tërë turma e tyre u ngrit, e çuan Jezuin te Pilati dhe filluan ta padisnin kështu: «E zumë këtë njeri duke e nxjerrë popullin tonë nga udha. Ai ndalon t'i paguhen taksat Cezarit, e quan veten Krisht e thotë se është mbret». Atëherë Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». Atëherë Pilati u tha kryepriftërinjve e turmave: «Nuk gjej asnjë faj te ky njeri». Por ata ngulnin këmbë e thoshin: «Ai e ngre popullin në këmbë duke mësuar njerëzit nëpër tërë Judenë, që nga Galilea deri këtu». Kur e dëgjoi këtë, Pilati pyeti nëse ky njeri ishte galileas. Si mori vesh se Jezui vinte nga krahina që qeverisej prej Herodit, e dërgoi tek ai, meqenëse Herodi gjendej në Jerusalem ato ditë. Kur e pa Jezuin, Herodi u gëzua shumë. Ai kishte shumë kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar për Jezuin e shpresonte ta shihte duke bërë ndonjë shenjë. Ai e pyeti gjatë, por Jezui nuk iu përgjigj. Aty ishin edhe kryepriftërinjtë e shkruesit, të cilët e padisnin plot zemërim. Edhe Herodi me ushtarët e vet e tallën dhe e përqeshën Jezuin. Pastaj i hodhën mbi supe një veshje të shndritshme dhe e dërguan te Pilati. Atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, sepse më parë kishin qenë në armiqësi. Atëherë Pilati thirri kryepriftërinjtë, krerët dhe popullin e u tha: «Më keni sjellë këtë njeri e më thoni se ai e nxjerr popullin nga udha. Ja, unë e hetova para syve tuaj, por nuk e gjeta te ky njeri fajin për të cilin e padisni dhe as Herodi, sepse ai e ktheu te ne. Ky nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. Atëherë ata bërtitën të gjithë së bashku: «Vrite këtë e na liro Barabën». Barabën e kishin futur në burg për një kryengritje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje. Pilati, që dëshironte ta lironte Jezuin, iu drejtua përsëri atyre, por ata bërtisnin e thoshin: «Kryqëzoje, kryqëzoje!». Për të tretën herë ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë? Nuk kam gjetur tek ai asnjë faj për ta dënuar me vdekje, prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj». Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me britma të mëdha që të kryqëzohej. Ulërimat e tyre bëheshin gjithnjë e më të forta. Atëherë Pilati vendosi t'u plotësohej kërkesa. Liroi njeriun që kishin kërkuar, atë që ishte futur në burg për kryengritje e vrasje, dhe u dorëzoi Jezuin, siç dëshironin ata. Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”. Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: “Bini mbi ne” dhe kodrave: “Na mbuloni!”. Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?». Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t'i kryqëzuar bashkë me Jezuin. Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë ». Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». Mbi të gjendej ky mbishkrim: «Ky është mbreti i judenjve». Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë». Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite. Dielli u zu e veli i tempullit u gris më dysh. Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim ». Pasi tha këto, dha shpirt. Kur pa çfarë kishte ndodhur, kryeqindësi përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë». Të gjitha turmat që ishin mbledhur aty për të parë këtë ngjarje, panë se çfarë ndodhi e u kthyen duke rrahur kraharorin. Ndërsa të gjithë të njohurit e tij, bashkë me gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea, rrinin në njëfarë largësie dhe shikonin këto gjëra. Aty ishte një njeri i mirë e i drejtë me emrin Jozef. Ai ishte anëtar i sinedrit, por nuk e kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Jozefi ishte nga Arimateja, një qytet i Judesë, dhe priste mbretërinë e Perëndisë. Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë e zbriti nga kryqi, e mbështolli me një pëlhurë prej liri dhe e vendosi në një varr të hapur në shkëmb, ku nuk ishte vënë ende askush. Ishte e premte, duke u gdhirë e shtunë. Gratë, që kishin ardhur nga Galilea me Jezuin, e ndoqën pas Jozefin. Ato e panë varrin dhe sesi ishte vendosur trupi i Jezuit. Pastaj u kthyen dhe përgatitën vajra erëmirë e mirrë. Të shtunën pushuan sipas ligjit. Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur. Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri, u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu. Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese. Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur. Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile, sesi Biri i njeriut duhej t'u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej e të tretën ditë të ngjallej». Ato kujtuan fjalët e tij dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve e të gjithë të tjerëve. Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve, por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë e nuk u besuan. Megjithatë Pjetri u ngrit e vrapoi te varri. U përkul e shikoi brenda. Ai pa vetëm pëlhurat e u kthye në shtëpi i mrekulluar për çfarë kishte ndodhur. Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi. Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur. Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta, por diçka i pengonte ta njihnin. Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur?». Ata u ndalën të trishtuar. Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë». Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët. Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte, por ata iu lutën shumë e i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta. Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu e ua dha atyre. Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre. Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës e kur na çelte Shkrimet?». Në atë çast u ngritën e shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët e të tjerët që ishin me ta e që po rrinin së bashku. Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit». Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës. Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre e u tha: «Paqja me ju!». Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt. Por ai u tha: «Përse keni frikë e përse lindin dyshime në zemrat tuaja? Shikojini duart e mia e këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë». Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart e këmbët. Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata i dhanë një copë peshk të pjekur. Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre. Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te Profetët e te Psalmet, duhet të përmbushet». Pastaj ua hapi mendjet që të kuptonin Shkrimet e u tha: «Është shkruar se Krishti duhet të vuajë e të ngjallet prej të vdekurve të tretën ditë dhe të gjitha kombeve do t'u shpallet pendimi e falja e mëkateve, duke filluar nga Jerusalemi. Ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. Ja, unë po ju dërgoj premtimin e Atit tim, prandaj rrini këtu në qytet derisa të visheni me pushtet nga lart». Pastaj u priu deri në Betani, ngriti duart e i bekoi. Ndërsa po i bekonte, u largua prej tyre e u mor në qiell. Ata e adhuruan e u kthyen me gëzim të madh në Jerusalem ku rrinin pareshtur në tempull dhe bekonin Perëndinë. Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi. Fjala ishte që në fillim me Perëndinë. Gjithçka u bë nëpërmjet tij dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të. Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve. Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot. Perëndia dërgoi një njeri që quhej Gjon. Ai erdhi të jepte dëshmi për dritën, që të gjithë të besojnë nëpërmjet tij. Ai nuk ishte drita, por dëshmitar i dritës. Fjala ishte drita e vërtetë, e cila vjen në botë dhe ndriçon çdo njeri. Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi te të vetët, por të vetët nuk e pranuan. Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë. Ata nuk lindën prej gjakut, as prej vullnetit njerëzor a prej dëshirës së burrit, por prej Perëndisë. Dhe Fjala u mishërua e banoi mes nesh. Ne e pamë lavdinë e tij, lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit, plot hir e të vërtetë. Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje». Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur. Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj e levitë që ta pyesnin: «Kush je ti?». Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti». Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo». Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t'u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç'thua për veten tënde?». Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin! ». Kështu kishte thënë edhe profeti Isai. Të dërguarit ishin nga farisenjtë. Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia e as profeti, atëherë, përse pagëzon?». Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni. Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh lidhëset e sandaleve». Të gjitha këto ndodhën në Betani, në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte. Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”. Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit». Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të. Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”. Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë». Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!». Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit. Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?». Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites. Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni. Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin. Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb. Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!». Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit. Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit». Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi. Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!». Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi». Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!». Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!». Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut». Pas dy ditësh u bë një dasmë në Kanë të Galilesë. Atje ndodhej edhe e ëma e Jezuit. Në dasmë ishte i ftuar edhe Jezui me dishepujt e tij. Kur mbaroi vera, e ëma i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë». Jezui iu përgjigj: «Çfarë do nga unë, o grua? Koha ime nuk ka ardhur ende!». Atëherë, e ëma e Jezuit u tha shërbëtorëve: «Bëni gjithçka që do t'ju thotë!». Atje ndodheshin gjashtë qypa prej guri që përdoreshin për ritin e pastrimit të judenjve. Secili prej tyre mbante tetëdhjetë deri në njëqind e njëzet litra. Atëherë, Jezui u tha shërbëtorëve: «Mbushini qypat me ujë!». Ata i mbushën deri në grykë. Pastaj u tha: «Tani, mbushni nga qypat e çojani të parit të dasmës!». Dhe ata ia çuan. I pari i dasmës nuk e dinte nga vinte vera, por shërbëtorët, që e kishin nxjerrë nga qypat, e dinin. Ai, pasi e provoi ujin e bërë verë, thirri dhëndrin e i tha: «Të gjithë nxjerrin për të pirë në fillim verën më të mirë dhe, pasi të jenë dehur dasmorët, sjellin të keqen, ndërsa ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani!». Kjo qe shenja e parë që bëri Jezui në Kanë të Galilesë. Ai shfaqi kështu lavdinë e tij dhe dishepujt besuan tek ai. Pastaj ai shkoi në Kafarnaum bashkë me të ëmën, vëllezërit e dishepujt e tij dhe qëndruan atje për pak ditë. Meqenëse po afrohej Pashka e judenjve, Jezui shkoi në Jerusalem. Në tempull ai gjeti tregtarët e qeve, të deleve e të pëllumbave, si dhe këmbyesit e parave që rrinin ulur. Pasi bëri një fshikull me litarë, i dëboi të gjithë prej tempullit bashkë me delet e qetë, ua derdhi të hollat këmbyesve të parave e pastaj përmbysi tryezat e tyre. Ndërsa tregtarëve të pëllumbave u tha: «Hiqini këto gjëra që këtej e mos e bëni vend tregtie shtëpinë e Atit tim!». Dishepujve të tij iu kujtua se ishte shkruar: zelli për shtëpinë tënde më përpiu. Atëherë ndërhynë disa judenj dhe e pyetën: «Me çfarë shenje na bind se mund t'i bësh këto gjëra?». Jezui iu përgjigj: «Shkatërrojeni këtë tempull e për tri ditë unë do ta ringre». Atëherë judenjtë i thanë: «U deshën dyzet e gjashtë vjet për ta ndërtuar këtë tempull e ti do ta ringresh për tri ditë?». Por ai po fliste për tempullin e trupit të tij. Kur u ngjall prej të vdekurve, dishepujve të tij iu kujtuan këto fjalë dhe i besuan Shkrimit e fjalëve që kishte thënë Jezui. Gjatë qëndrimit të Jezuit në Jerusalem për festën e Pashkës shumë veta i besuan atij pasi panë shenjat që bënte. Por vetë Jezui nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë. Ai nuk kishte nevojë t'i tregonin asgjë për njerëzit, pasi e dinte ç'kishte përbrenda njeriut. Mes farisenjve ishte një njeri që quhej Nikodem. Ky ishte njëri nga krerët e judenjve. Ai shkoi natën te Jezui e i tha: «Mësues, e dimë se vjen nga Perëndia, se askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lindet përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë». Nikodemi i tha: «Si mund të lindet përsëri një njeri kur është i thyer në moshë? A mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës e të lindet përsëri?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji e nga Shpirti, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Çfarë lind nga njeriu është njerëzore, çfarë lind nga Shpirti është shpirtërore. Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri”. Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti». Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?». Jezui u përgjigj: «Ti je mësues i Izraelit e nuk i kupton këto gjëra? Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë e dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t'ju flas për gjërat qiellore? Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit. Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut, që kushdo që beson në të, të ketë jetën e amshuar. Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij. Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Gjykimi është ky: drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, se veprat e tyre ishin të liga. Kush bën gjëra të këqija e urren dritën e nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij. Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë». Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në krahinën e Judesë. Atje qëndroi për pak kohë me ta e pagëzonte. Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, se atje kishte shumë ujë e njerëzit shkonin tek ai e pagëzoheshin. Në atë kohë Gjoni nuk ishte burgosur ende. Dishepujt e Gjonit filluan të diskutonin me një jude rreth ritit të pastrimit. Ata shkuan te Gjoni e i thanë: «Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja, po pagëzon e të gjithë po shkojnë tek ai». Gjoni u përgjigj: «Askush nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë prej qiellit. Vetë ju keni qenë dëshmitarë kur thashë: “Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij”. Ai që ka nusen është dhëndri, ndërsa miku i dhëndrit, që rri dhe e dëgjon, ngazëllehet nga zëri i dhëndrit. Ky pra është gëzimi im e tani është bërë i plotë. Krishti duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem». «Ai që vjen nga lart është mbi të gjithë, ndërsa ai që vjen nga toka është prej tokës e flet për gjërat e saj. Ai që vjen nga qielli është mbi të gjithë dhe dëshmon për atë që ka parë e ka dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij. Kush pranon dëshminë e tij, pohon se Perëndia është i vërtetë. Ai që ka dërguar Perëndia, flet fjalët e Perëndisë, se Perëndia ia jep Shpirtin pa masë. Ati e do Birin e i ka lënë gjithçka në dorë. Kush beson në Birin, ka jetën e amshuar, ndërsa kush nuk i bindet Birit, nuk do ta shohë jetën, por mbetet nën zemërimin e Perëndisë». Kur Jezui mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar që ai po bënte më shumë dishepuj se Gjoni dhe se po pagëzonte, ndonëse nuk pagëzonte Jezui vetë, por dishepujt e tij, la Judenë e shkoi përsëri në Galile. Për të arritur atje, i duhej të kalonte nëpër Samari. Kështu mbërriti në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, pranë arës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të tij. Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës. Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij e ai do të të jepte ujë të gjallë». Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë e pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë e me bagëtitë». Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem». Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas». Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?». Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». Kështu ata dolën nga qyteti e shkuan te Jezui. Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre». Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!». Pas këtyre dy ditëve, Jezui iku prej andej e shkoi në Galile. Vetë ai kishte thënë se asnjë profet nuk nderohet në vendlindjen e tij, por kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithçka kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë. Jezui shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë. Një nëpunës mbretëror, që kishte të birin sëmurë në Kafarnaum, kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi e i kërkoi të zbriste deri në Kafarnaum e t'i shëronte të birin që ishte duke vdekur. Atëherë Jezui i tha: «Ju nuk besoni nëse nuk shikoni shenja e mrekulli». Nëpunësi i tha: «Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija». Jezui i tha: «Shko në shtëpi! Yt bir do të jetojë». Ai u besoi fjalëve të Jezuit e shkoi. Duke zbritur për në shtëpi, shërbëtorët i dolën para e i thanë se djali i tij ishte mirë. Atëherë ai i pyeti për orën kur u bë më mirë djali e ata i thanë: «Dje, në orën një të drekës e lanë ethet». Atëherë i ati e kuptoi se ajo ishte ora kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir do të jetojë». Kështu besoi ai vetë e të gjithë ata të shtëpisë së tij. Kjo ishte shenja e dytë që bëri Jezui kur u kthye nga Judeja në Galile. Pastaj judenjtë kishin një festë dhe Jezui shkoi në Jerusalem. Në Jerusalem, afër Portës së Dhenve, kishte një hurdhë me pesë portikë që në hebraisht quhet Betzata. Atje dergjeshin shumë të sëmurë, të verbër, të çalë e të paralizuar. Jezui, kur e pa që dergjej i sëmurë dhe duke e ditur se kishte shumë kohë që vuante, i tha: «A dëshiron të shërohesh?». I sëmuri iu përgjigj: «Zotëri, nuk kam njeri që të më fusë në hurdhë kur trazohet uji. Kur përpiqem të hyj unë, dikush tjetër zbret para meje». Jezui i tha: «Ngrihu, merre shtrojën tënde dhe ec!». Ai njeri u shërua në çast, mori shtrojën dhe eci. Por, meqenëse atë ditë ishte e shtunë, judenjtë i thanë të shëruarit: «Sot është e shtunë e nuk të lejohet të mbartësh shtrojën». Ai u përgjigj: «Ai që më shëroi më tha: merre shtrojën tënde dhe ec!». Ata e pyetën: «Cili është ky njeri që të tha: merre shtrojën dhe ec?». I shëruari nuk e dinte kush ishte, se Jezui kishte humbur mes turmës së njerëzve që ndodheshin aty. Më vonë Jezui e gjeti atë në tempull e i tha: «Ja ku u shërove! Mos mëkato më, që mos të të ndodhë ndonjë e keqe më e madhe». Ai njeri shkoi e u tregoi judenjve se ai që e kishte shëruar ishte Jezui. Atëherë judenjtë filluan ta përndjekin Jezuin, meqenëse ai i bënte këto gjëra të shtunën. Ndërsa Jezui u tha: «Ati im vepron gjithmonë, prandaj edhe unë veproj». Kështu judenjtë kërkonin edhe më shumë ta vrisnin, sepse jo vetëm që shkelte ligjin e së shtunës, por edhe thoshte se Perëndia ishte Ati i tij, duke e bërë veten të barabartë me Perëndinë. Atëherë Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë nga vetja, përveç asaj që sheh se bën Ati. Ato gjëra që bën Ati, bën edhe Biri. Ati e do Birin e i tregon gjithçka që bën. Ai do t'i tregojë vepra edhe më të mëdha, që ju të mrekulloheni. Sepse ashtu si Ati ngjall të vdekurit e u jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që dëshiron. Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. Kush nuk nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e ka dërguar. Me të vërtetë po ju them se ai që dëgjon fjalët e mia dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetën e amshuar e nuk do të gjykohet, pasi ka kaluar tashmë nga vdekja në jetë. Me të vërtetë po ju them se po vjen një kohë, e madje ajo ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta dëgjojnë, do të jetojnë. Sikurse Ati është burimi i jetës, kështu e ka bërë edhe Birin të jetë burim jete dhe i ka dhënë të drejtën të gjykojë, sepse ai është Biri i njeriut. Mos u habitni për këtë, se po afron koha kur të gjithë të vdekurit do të dëgjojnë zërin e tij e do të dalin nga varret. Ata që kanë bërë të mirën do të ngjallen për të jetuar, ndërsa ata që bënë të keqen do të ngjallen për t'u gjykuar. Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime. Unë gjykoj sipas asaj që dëgjoj nga Ati im dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj të bëhet vullneti im, por vullneti i atij që më dërgoi». «Nëse unë dëshmoj për veten time, atëherë kjo dëshmi mund të mos ishte e vërtetë. Por dikush tjetër dëshmon për mua dhe unë e di se dëshmia e tij është e vërtetë. Ju dërguat njerëz te Gjoni e ai tha të vërtetën. Unë nuk kam nevojë për dëshminë e ndonjë njeriu, por i përmenda këto që të shpëtoheni. Gjoni ishte pishtari i ndezur që shndrit dhe juve ju pëlqeu të ngazëlleheshit për pak kohë në dritën e tij. Por dëshmia ime është më e madhe se ajo e Gjonit. Veprat që më dha Ati për të bërë, veprat që unë bëj, ato dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar. Dhe vetë Ati që më dërgoi ka dëshmuar për mua. Ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij e nuk e keni parë kurrë fytyrën e tij. Fjala e tij nuk qëndron në ju, se nuk i besoni atij që ai dërgoi. Ju shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se në to gjeni jetën e amshuar e pikërisht ato dëshmojnë për mua. E megjithatë, nuk doni të vini tek unë që kështu të keni jetë. Unë nuk marr lavdi nga njerëzit. Ju njoh dhe e di se nuk keni në ju dashurinë e Perëndisë. Unë kam ardhur në emër të Atit tim e nuk më pranoni. Nëse dikush tjetër do të vinte në emër të vetes, atë do ta pranonit. Si mund të besoni ju që i thurni lavdi njëri-tjetrit e nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi? Mos mendoni se do t'ju padis unë tek Ati. Moisiu, tek i cili keni varur shpresën, ai do t'ju padisë. Sepse po t'i besonit Moisiut do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. Por nëse nuk u besoni atyre që ai shkroi, si do t'u besoni fjalëve të mia?». Pas këtyre, Jezui shkoi në bregun tjetër të liqenit të Galilesë së Tiberiadës. Një turmë e madhe i shkonte pas, sepse shihnin shenjat që bënte për të sëmurët. Atëherë Jezui u ngjit në mal e atje u ul me dishepujt. Po afrohej Pashka, festa e judenjve. Kur hodhi sytë dhe pa se një turmë e madhe po shkonte drejt tij, Jezui i tha Filipit: «Ku mund të blejmë bukë që të hanë gjithë këta njerëz?». Këtë e tha për të vënë në provë Filipin, pasi ai vetë e dinte se çfarë do të bënte. Filipi iu përgjigj: «As dyqind denarë bukë nuk do të mjaftonin që të hante secili nga një copëz». Njëri prej dishepujve, Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, tha: «Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi e dy peshq, por çfarë janë këto për kaq njerëz?». Jezui tha: «U thoni njerëzve të ulen!». Në atë vend kishte shumë bar. Atëherë ata u ulën. Numri i tyre arrinte rreth pesë mijë burra. Pastaj Jezui mori bukën dhe, si falënderoi Perëndinë, ua ndau atyre që ishin ulur. U ndau edhe peshq, aq sa deshën. Kur u ngopën, Jezui u tha dishepujve: «Mblidhini copat që kanë tepruar, që të mos shkojë dëm asgjë». Kështu i mblodhën të gjitha dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat, që u kishin tepruar atyre, që kishin ngrënë prej pesë bukëve të elbit. Njerëzit, kur panë shenjën që bëri, thanë: «Ky është me të vërtetë profeti që duhet të vijë në botë!». Jezui, duke e ditur se kishin ndër mend të vinin ta merrnin me forcë për ta bërë mbret, u largua sërish për në mal fill i vetëm. Në muzg dishepujt zbritën në liqen, hipën në varkë e po shkonin drejt bregut tjetër të liqenit, për në Kafarnaum. Tashmë ishte errur, por Jezui nuk kishte mbërritur ende tek ata. Liqeni po trazohej nga era e fortë që frynte. Pasi kishin lundruar rreth tri a katër milje, panë Jezuin që po ecte mbi liqen duke iu afruar varkës e u frikësuan. Ai u tha: «Jam unë. Mos kini frikë!». Ata deshën ta merrnin në varkë, por menjëherë varka arriti në bregun ku po shkonin. Të nesërmen, turma që kishte qëndruar në bregun tjetër të liqenit, pa se atje nuk kishte veçse një varkë. Ata e dinin se Jezui nuk kishte hipur në varkë bashkë me dishepujt, porse dishepujt ishin nisur vetëm. Varka të tjera erdhën nga Tiberiada afër atij vendi ku kishin ngrënë bukën pasi Zoti kishte thënë lutjen e falënderimit. Njerëzit, kur panë se Jezui e dishepujt nuk ishin atje, hipën edhe ata nëpër varka e shkuan në Kafarnaum për ta kërkuar. Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë shenja, por sepse hëngrët prej bukëve e u ngopët. Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati». Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?». Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!». Ata i thanë: «Çfarë shenje mund të bësh që ta shohim e të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh? Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, sikurse është shkruar: u dha për të ngrënë bukë prej qiellit ». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit e i jep jetë botës». Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!». Jezui u tha: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje. Por ju thashë se më keni parë e megjithatë nuk besoni. Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë, sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t'i ngjall në ditën e fundit. Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin e besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t'i ngjall në ditën e fundit». Atëherë judenjtë filluan të murmuritnin kundër Jezuit, se kishte thënë: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit». Ata thoshin: «A nuk është ky Jezui, biri i Jozefit, të cilit ia njohim të atin e të ëmën? Si na thënka tani “unë kam zbritur prej qiellit”?». Jezui u përgjigj: «Mos murmurisni me njëri-tjetrin! Askush nuk mund të vijë tek unë nëse nuk e tërheq Ati që më dërgoi e unë ta ngjall në ditën e fundit. Është shkruar te profetët: të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë. Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin. Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë. Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im që e jap për jetën e botës». Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut e nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, sepse mishi im është ushqim i vërtetë e gjaku im pije e vërtetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua e unë në të. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj e vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim». Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum. Shumë nga dishepujt e tij kur dëgjuan këto, thanë: «Fjala e tij është shumë e ashpër. Kush mund ta dëgjojë?». Jezui, duke e ditur se dishepujt po murmuritnin për këto, u tha: «Kjo u bëka pengesë për ju? Po kur ta shikoni Birin e njeriut të ngjitet atje ku ishte më parë? Shpirti jep jetë, ndërsa dobësia njerëzore nuk sjellin asnjë dobi. Fjalët që ju thashë janë shpirt e jetë. Por ka disa nga ju që nuk besojnë». Në të vërtetë Jezui e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin e kush ishte ai që do ta tradhtonte. Dhe u tha: «Prandaj ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë prej Atit». Që atëherë shumë nga dishepujt e tij u tërhoqën e nuk u shoqëruan më me të. Atëherë Jezui u tha të dymbëdhjetëve: «Mos doni të ikni edhe ju?». Simon Pjetri iu përgjigj: «Zot, te kush të shkojmë? Ti i ke fjalët e jetës së amshuar. Ne kemi besuar dhe e dimë se ti je i shenjti i Perëndisë ». Jezui u tha: «A nuk ju zgjodha unë ju, të dymbëdhjetët? Megjithatë, njëri prej jush është djall». Këtë e tha për Judën e Simon Iskariotit, sepse ky do ta tradhtonte ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët. Pastaj Jezui vazhdoi të përshkonte Galilenë. Ai nuk donte të kalonte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin. Po afronte festa e Kasolleve, një nga festat e judenjve, dhe vëllezërit e vet i thanë: «Largohu prej këtej e shko në Jude, që edhe dishepujt e tu të shohin veprat që bën! Kush kërkon të jetë i njohur, nuk i fsheh ato që bën. Nëse ti bën vepra të tilla, shfaqja veten botës!». Në të vërtetë as vëllezërit e tij nuk besonin në të. Atëherë Jezui u tha: «Koha ime nuk ka ardhur ende, ndërsa për ju çdo kohë është e përshtatshme. Bota nuk mund t'ju urrejë ju, ndërsa mua më urren, sepse unë dëshmoj se veprat e saj janë të liga. Ju, shkoni në festë! Unë nuk do të vij në këtë festë, sepse koha ime nuk ka ardhur ende». U tha këto e qëndroi në Galile. Pasi vëllezërit e tij shkuan në festë, shkoi edhe Jezui, jo haptas, por fshehurazi. Judenjtë e kërkonin në festë dhe pyesnin: «Ku është ai?». Nëpër turmë pëshpëritej shumë për të. Disa thoshin: «Është i mirë». Të tjerë thoshin: «Jo. Ai po mashtron turmën!», por asnjë nuk fliste hapur për të, se kishin frikë nga judenjtë. Nga mesi i festës Jezui shkoi në tempull e filloi të mësonte njerëzit. Judenjtë habiteshin e thoshin: «Nga i njeh ky Shkrimet pa ia mësuar njeri?». Jezui u përgjigj: «Mësimi im nuk është i imi, por i atij që më dërgoi. Kush dëshiron të bëjë vullnetin e tij do ta kuptojë nëse mësimi im është prej Perëndisë apo nëse unë flas nga vetja ime. Kush flet nga vetja kërkon lavdi për vete, ndërsa kush kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, thotë të vërtetën dhe në të nuk ka gënjeshtër. A nuk jua dha Moisiu ligjin? Megjithatë asnjë prej jush nuk e zbaton. Përse kërkoni të më vrisni?». Turma iu përgjigj: «Ty të ka pushtuar djalli. Kush kërkon të të vrasë?». Jezui u tha: «Një mrekulli bëra dhe u habitët të gjithë. Moisiu ju dha rrethprerjen, e cila në të vërtetë nuk është dhënë nga Moisiu, por nga etërit, e megjithatë, ju e rrethpritni njeriun të shtunën. Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, përse zemëroheni me mua, se shërova tërësisht një njeri të shtunën? Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi». Disa nga Jerusalemi thoshin: «A nuk është ky ai që e kërkojnë për ta vrarë? Ja, ai po flet lirisht e nuk i thonë gjë! A mos kanë pranuar me të vërtetë krerët se ky është Krishti? Por ne e dimë nga është ky, ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është». Atëherë Jezui, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri: «Po, mua më njihni dhe e dini nga jam. Megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe atë ju nuk e njihni. Por unë e njoh atë, sepse vij prej tij dhe ai më dërgoi». Atëherë kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, se nuk i kishte ardhur ende koha. Shumë nga turma besuan në Jezuin e thoshin: «A thua kur të vijë Krishti do të bëjë më shumë shenja se ky?». Farisenjtë dëgjuan se turma pëshpëriste këto gjëra për Jezuin, prandaj, së bashku me kryepriftërinjtë, dërguan roja për ta kapur. Atëherë Jezui u tha: «Edhe për pak kohë jam me ju e pastaj do të shkoj tek ai që më dërgoi. Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni, sepse ju nuk mund të vini atje ku jam unë». Judenjtë pyesnin njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky, që ne nuk mund ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes helenëve e të mësojë helenët? Ç'do të thonë fjalët “do të më kërkoni e nuk do të më gjeni” dhe “ju nuk mund të vini atje ku jam unë”?». Ditën e fundit e më të madhen e festës, Jezui u ngrit në këmbë e thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë! Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij, siç ka thënë Shkrimi». Këtë e tha për Shpirtin që do të merrnin ata që do të besonin në të. Shpirti nuk ishte dhënë ende, sepse Jezui ende nuk ishte ngritur në lavdi. Kur dëgjuan këto fjalë, disa njerëz nga turma thanë: «Ky është me të vërtetë profeti», të tjerë thoshin: «Ky është Krishti», ndërsa të tjerë: «Vallë nga Galilea vjen Krishti? A nuk ka thënë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit e nga Betlehemi, fshati nga ishte Davidi?». Kështu pati përçarje në turmë për shkak të Jezuit. Disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të. Rojat u kthyen te kryepriftërinjtë e farisenjtë që i pyetën: «Përse nuk e sollët?». Ata iu përgjigjën farisenjve: «Asnjeri nuk ka folur kështu ndonjëherë». Farisenjtë u thanë: «Mos u mashtruat edhe ju? A ka besuar në të ndonjë prej krerëve apo prej farisenjve? Por kjo turmë që nuk e njeh ligjin është e mallkuar». Nikodemi, njëri prej farisenjve, që kishte shkuar më parë te Jezui, tha: «A e gjykon ligji ynë ndonjë njeri pa e dëgjuar më parë e pa marrë vesh se çfarë ka bërë?». Ata iu përgjigjën: «Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shiko se asnjë profet nuk vjen nga Galilea». Dhe secili shkoi në shtëpinë e vet. Jezui shkoi në malin e Ullinjve. Në të gdhirë, u kthye përsëri në tempull dhe i gjithë populli shkonte pranë tij. Ai u ul e mësonte njerëzit. Atëherë shkruesit dhe farisenjtë i çuan një grua që ishte kapur duke bërë tradhti bashkëshortore dhe, pasi e vunë në mes, i thanë: «Mësues, kjo grua u kap duke bërë tradhti bashkëshortore. Në ligj Moisiu na ka urdhëruar t'i vrasim me gurë gra të tilla. Po ti, ç'thua?». Këtë e thanë për ta zënë në kurth, që të kishin për çfarë ta padisnin, por Jezui u ul e filloi të shkruante me gisht në tokë. Meqenëse ata po vazhdonin ta pyesnin, ai u ngrit e tha: «Kush është pa mëkat ndër ju le të hedhë i pari gurin mbi të!». Pastaj u ul përsëri e shkruante në tokë. Kur e dëgjuan këtë, ata u larguan njëri pas tjetrit duke filluar nga më të moshuarit. Mbeti vetëm Jezui me gruan që qëndronte në mes. Jezui u ngrit e i tha: «Grua, ku janë paditësit e tu? Askush nuk të dënoi?». Ajo u përgjigj: «Askush, zotëri». Jezui i tha: «Atëherë as unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më që tani e tutje!». Atëherë Jezui foli përsëri me ta e u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës». Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë». Jezui u përgjigj: «Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij e as ku po shkoj. Ju gjykoni sipas dobësisë njerëzore, ndërsa unë nuk gjykoj askënd. Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi. Në ligj shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua». Ata i thanë: «Ku është Ati yt?». Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim». Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha. Jezui u tha përsëri farisenjve: «Unë po shkoj e ju do të më kërkoni, por do të vdisni në mëkatin tuaj. Ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë». Judenjtë thoshin: «Mos do të vrasë veten kur thotë “ju nuk mund të vini ku po shkoj unë”?». Ai u tha: «Ju jeni prej këtu poshtë, unë jam prej së larti. Ju jeni nga kjo botë, unë nuk jam nga kjo botë. Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja. Nëse nuk besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja». Ata i thanë: «Kush je ti?». Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam. Kam shumë për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe unë i them botës ato që dëgjova prej tij». Ata nuk e kuptuan se po u fliste për Atin. Atëherë Jezui u tha: «Kur ta keni lartësuar Birin e njeriut, atëherë do ta kuptoni se unë jam dhe se nuk bëj asgjë nga vetja, por flas si më mësoi Ati. Ai që më dërgoi është me mua e nuk më ka lënë vetëm, sepse unë bëj gjithnjë çfarë i pëlqen atij». Shumë njerëz besuan në Jezuin kur e dëgjuan të fliste kështu. Jezui u tha judenjve që besuan në të: «Nëse qëndroni në fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi, do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë». Ata iu përgjigjën: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si mund të thuash: “Do të bëheni të lirë”?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se kushdo që mëkaton është skllav i mëkatit. Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri gjithmonë. Nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë. E di se jeni pasardhës të Abrahamit, por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. Unë them ato që kam parë pranë Atit tim, ndërsa ju bëni ato që keni dëgjuar nga ati juaj». Ata i thanë: «Ati ynë është Abrahami». Jezui u tha: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e tij. Tani kërkoni të më vrisni mua, njeriun që ju kam thënë të vërtetën që dëgjova nga Perëndia. Abrahami nuk e bëri këtë. Ju bëni veprat e atit tuaj». Atëherë judenjtë i thanë: «Ne nuk kemi lindur nga kurvëria. Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë». Jezui u tha: «Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit edhe mua, sepse unë dola nga Perëndia dhe kam ardhur prej tij. Nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai më dërgoi. Përse nuk i kuptoni këto që ju them? Sepse nuk mund ta dëgjoni fjalën time. Ati juaj është djalli e ju doni të bëni vullnetin e atit tuaj. Ai ishte njeri-vrasës që nga fillimi e nuk qëndroi tek e vërteta, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës. Ndërsa mua që them të vërtetën, nuk më besoni. Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni? Kush është prej Perëndisë, dëgjon fjalët e Perëndisë. Ju prandaj nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë». Judenjtë i thanë Jezuit: «A nuk e kemi mirë kur themi se je samaritan e ke djallin?». Jezui u përgjigj: «Unë nuk kam djallin, por nderoj Atin tim, ndërsa ju më poshtëroni. Unë nuk kërkoj lavdinë time. Ka se kush e kërkon e se kush gjykon. Me të vërtetë po ju them se kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shohë vdekjen kurrë». Atëherë judenjtë i thanë: «Tani e dimë se ke djallin. Abrahami vdiq. Po ashtu edhe profetët, ndërsa ti thua: “Kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shijojë vdekjen kurrë”. A mos je ti më i madh se ati ynë, Abrahami, që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Për kë e mban veten?». Jezui u përgjigj: «Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Ati im, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj, është ai që më përlëvdon. Ju nuk e keni njohur, ndërsa unë e njoh. Po të them se nuk e njoh, do të jem gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. Ati juaj, Abrahami, u ngazëllua që do të shikonte ditën time. E pa dhe u gëzua». Atëherë judenjtë i thanë: «Nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se, para se të kishte lindur Abrahami, Unë Jam». Ata morën gurë për t'i gjuajtur, por Jezui u fsheh e doli nga tempulli. Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër. Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?». Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë. Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës». Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë e ia leu sytë me baltë të verbrit. Pastaj i tha: «Shko e lahu te hurdha e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte. Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur e lypte?». Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam». Atëherë ata e pyetën: «Si t'u hapën sytë?». Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m'i leu sytë e më tha: “Shko te hurdha e Siloamit e lahu!”. Unë shkova, u lava e pashë». Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?». Ai u përgjigj: «Nuk e di». Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë. Dita që Jezui bëri baltën dhe hapi sytë e të verbrit, kishte qenë e shtunë. Farisenjtë e pyetën përsëri sesi e fitoi dritën e syve. Ai u tha: «Më vuri baltë mbi sy, u lava e tani shoh». Disa nga farisenjtë thoshin: «Ai njeri nuk është nga Perëndia, se nuk e respekton të shtunën». Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë shenja të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre. Ata e pyetën përsëri të verbrin: «Ti çfarë thua për atë që t'i hapi sytë?». Ai u tha: «Është profet». Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!». Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t'i hapi sytë?». Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». Ai u përgjigj: «Është për t'u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë». Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë. Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». «Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij. Pastaj Jezui tha: «Unë kam ardhur për të bërë gjyq në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin e të verbohen ata që shohin». Disa nga farisenjtë që ishin me të, kur dëgjuan këto fjalë, i thanë: «A mos jemi edhe ne të verbër?». Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat, por tani thoni se shihni, prandaj mëkati juaj mbetet». «Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli. Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë. Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet. Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari. Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im». Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?». Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. Unë dhe Ati jemi një». Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë. Jezui u tha: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?». Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, por për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi». Jezui u tha: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj: unë thashë: jeni perëndi. Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi nuk mund të hidhet poshtë. Atëherë, si mund t'i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë “fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë “jam Biri i Perëndisë”? Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni e të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin». Përsëri donin ta kapnin, por Jezui u iku nga duart. Ai shkoi sërish në bregun tjetër të Jordanit, në vendin ku më parë pagëzonte Gjoni dhe qëndroi atje. Shumë njerëz shkuan tek ai e thoshin: «Gjoni nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka tha për të është e vërtetë». Dhe atje besuan në të shumë njerëz. Në atë kohë dergjej i sëmurë Lazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i motrës së saj, Martës. Maria, motra e Lazarit të sëmurë, ishte ajo që leu Zotin me mirrë e ia fshiu këmbët me flokët e saj. Atëherë motrat i çuan fjalë Jezuit: «Zot, miku yt i dashur është sëmurë». Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë». Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë e Lazarin. Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte e pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!». Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë e ti do që të shkosh përsëri atje?». Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. Por nëse dikush ecën natën, pengohet, se në të nuk ka dritë». Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj». Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë». Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm. Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur. Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!». Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!». Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë në varr. Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta e Maria, që t'i ngushëllonin për vdekjen e vëllait. Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t'i kërkosh». Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet». Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit». Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?». Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë». Pasi tha këto, ajo shkoi, thirri mënjanë Marinë, motrën e saj, e i tha: «Mësuesi është këtu e të kërkon». Maria, sapo e dëgjoi, u ngrit me nxitim e shkoi tek ai, sepse Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por po rrinte atje ku e kishte takuar Marta. Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se ajo u ngrit me nxitim e doli, i shkuan pas duke menduar se po shkonte te varri për të qarë atje. Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur». Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua e tha: «Ku e keni vënë?». Ata i thanë: «Zot, eja e shih!». Jezui u përlot. Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!». Por disa nga ata thoshin: «Ky që i hapi sytë të verbrit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?». Jezui u prek përsëri në shpirt e shkoi te varri që ishte një shpellë me një gur në hyrje. Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr». Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?». Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart e tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove. Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove». Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!». I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!». Shumë nga judenjtë që kishin ardhur te Maria, kur panë ato që bëri Jezui, besuan në të, por disa prej tyre shkuan te farisenjtë e u treguan çfarë kishte bërë Jezui. Atëherë kryepriftërinjtë e farisenjtë mblodhën këshillin e thanë: «Çfarë të bëjmë? Ky njeri po bën kaq shumë shenja! Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të dhe atëherë do të vijnë romakët e do të rrënojnë tempullin e kombin tonë». Njëri prej tyre, Kajafa, që ishte kryeprifti atë vit, u tha: «Ju nuk kuptoni asgjë. A nuk e kuptoni se për ju është më mirë të vdesë një njeri për popullin, sesa të shkatërrohet gjithë kombi?». Këtë nuk e tha nga vetja, por, meqenëse ishte kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezui do të vdiste për kombin. Dhe jo vetëm për kombin, por edhe për të mbledhur e për t'i bërë një bijtë e shpërndarë të Perëndisë. Që nga ajo ditë ata vendosën ta vrasin. Prandaj Jezui nuk ecte më haptas mes judenjve, por shkoi në një vend pranë shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim e ndenji atje me dishepujt. Po afrohej Pashka e judenjve dhe shumë njerëz nga i gjithë vendi shkuan në Jerusalem, përpara Pashkës, për ritin e pastrimit. Ata e kërkonin Jezuin dhe, kur ishin në tempull, pyesnin njëri-tjetrin: «Si mendoni? A do të vijë në festë?». Kryepriftërinjtë e farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ndodhej Jezui, të lajmëronte, që ta kapnin. Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve. Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin. Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë, e ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës. Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha: «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë e t'u jepeshin të varfërve?». Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave e merrte prej saj çfarë hidhej në të. Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim! Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë». Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje e shkuan jo vetëm për të, por edhe të shikonin Lazarin që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve. Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin, sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij e besonin në Jezuin. Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem, mori degë palmash e i doli para duke thirrur: « Hosana! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!». Jezui gjeti një kërriç e hipi në të, siç është shkruar: Mos ki frikë, o bijë e Sionit! Ja, mbreti yt po vjen hipur mbi një kërriç! Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, por kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, siç ishin shkruar. Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të. Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar për këtë shenjë që kishte bërë. Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç'bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!». Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë». «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë. O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj». Turma që rrinte e dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll». Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, por për ju. Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote! Kur unë të lartësohem nga toka, do t'i tërheq të gjithë pranë vetes». Këtë e tha për të treguar me ç'vdekje do të vdiste. Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?». Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon. Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës». Pasi tha këto, Jezui iku e u fsheh prej tyre. Megjithëse kishte bërë kaq shenja para syve të tyre, ata nuk besonin në të, që të përmbushej fjala e profetit Isai që ka thënë: Zot, kush i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua fuqia e Zotit? Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe: i verboi sytë e tyre dhe i ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos shohin me sy, apo të kuptojnë me zemër që të mos kthehen tek unë për t'i shëruar. Këto tha Isaia, sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të. Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat. Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë. Jezui tha me zë të lartë: «Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi. Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi. Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë. Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, por për ta shpëtuar atë. Atë që më hedh poshtë mua e nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit. Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç'të them e ç'të flas. Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m'i tha Ati». Ishte para festës së Pashkës. Jezui e dinte se kishte ardhur ora të shkonte nga kjo botë tek Ati. Ai i kishte dashur të vetët që ishin në botë dhe i kishte dashur deri në fund. Gjatë darkës djalli kishte futur tashmë tradhtinë në zemrën e Judës së Simon Iskariotit. Jezui e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se nga Perëndia kishte dalë e te Perëndia po kthehej. Atëherë u ngrit nga darka, hoqi petkun, mori një peshqir dhe e lidhi në brez. Pastaj hodhi ujë në një enë e filloi t'ua lante këmbët dishepujve e t'ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez. Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?». Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë». Pjetri i tha: «Nuk do të m'i lash kurrë këmbët!». Jezui u përgjigj: «Po nuk t'i lava, nuk ke pjesë me mua». Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën». Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë». Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër». Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha: «E kuptoni këtë që ju bëra? Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t'ia lani këmbët njëri-tjetrit. Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë. Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar. Nëse i keni kuptuar këto gjëra dhe nëse i zbatoni, do të jeni të lumë. Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi». Si tha këto, Jezui u trondit në shpirt e tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri prej jush do të më tradhtojë». Dishepujt filluan të shikonin njëri-tjetrin, se nuk e dinin për kë e kishte fjalën. Njëri prej dishepujve të tij, ai që Jezui e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezuit. Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë ta pyeste Jezuin për kë e kishte fjalën. Ai u përkul mbi kraharorin e Jezuit e i tha: «Zot, kush është?». Jezui u përgjigj: «Është ai të cilit do t'i jap kafshatën që do të ngjyej». Pasi e ngjeu kafshatën, ia dha Judës së Simon Iskariotit. Si mori kafshatën, tek ai hyri Satani. Atëherë Jezui i tha: «Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!». Asnjë nga ata që ishin ulur nuk e kuptoi përse i tha ashtu. Meqenëse Juda mbante qesen e parave, disa nga ata kujtuan se Jezui i kishte thënë të shkonte e të blinte ç'nevojitej për festën apo ndonjë gjë për t'u dhënë të varfërve. Juda mori kafshatën dhe doli menjëherë jashtë. Ishte natë. Kur doli Juda, Jezui tha: «Tani u përlëvdua Biri i njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të. Nëse Perëndia u përlëvdua në të, Perëndia do ta përlëvdojë në veten e tij dhe do ta përlëvdojë menjëherë. Bijtë e mi, edhe pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni, por tani po ju them atë që u thashë judenjve: “Atje ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini”. Po ju jap një urdhërim të ri: duajeni njëri-tjetrin sikurse ju kam dashur unë. Të gjithë do t'ju njohin që jeni dishepujt e mi nëse keni dashuri për njëri-tjetrin». Simon Pjetri i tha: «Zot, ku po shkon?». Jezui u përgjigj: «Atje ku po shkoj unë, tani ti nuk mund të më ndjekësh, por do të më ndjekësh më vonë». Pjetri i tha: «Zot, përse nuk mund të të ndjek tani? Unë do të jepja edhe jetën për ty». Jezui u përgjigj: «Ti do të japësh jetën për mua? Me të vërtetë po të them se gjeli nuk do të këndojë para se të më mohosh tri herë». «Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t'ju thosha se po shkoj t'ju bëj gati vendin. Kur të shkoj e t'ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri e do t'ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë. Ju e dini udhën për ku po shkoj unë». Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?». Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje. Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë». Filipi i tha: «Zot, na trego Atin e kjo na mjafton». Jezui i tha: «Ka kaq kohë që jam me ju e nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin?”. Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra. Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave. Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do t'i bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati. Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin. Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj». «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju. Nuk do t'ju lë jetimë. Do të vij te ju. Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni, sepse jetoj unë. Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia e i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua e do t'i shfaqem». Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?» Jezui i tha: «Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë e do të banojmë tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi. Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju. Ngushëlluesi, Shpirti i shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t'ju mësojë gjithçka e do t'ju kujtojë gjithçka që ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet! Më dëgjuat kur ju thashë: “Po shkoj e do të vij përsëri te ju”. Po të më donit do të gëzoheshit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Jua thashë që tani përpara se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen sundimtari i kësaj bote. Ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua. Por bota duhet ta dijë se unë e dua Atin e bëj atë që më urdhëroi Ati të bëj. Ngrihuni të ikim prej këtej!». «Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. Çdo shermend që është në mua e që nuk jep fryt, ai e këput, ndërsa çdo shermend që jep fryt ai e krasit dhe e pastron, që të japë më shumë fryt. Fjala që unë ju kam folur, ju ka pastruar tashmë. Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt vetvetiu, pa qëndruar në hardhinë, kështu as ju nuk do të mund të jepni fryt nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. Nëse dikush nuk qëndron në mua, do të hidhet jashtë si shermendi e do të thahet. Këta shermende do t'i mbledhin, do t'i hedhin në zjarr e do të digjen. Po të qëndroni në mua dhe fjalët e mia të qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni e do t'ju jepet. Në këtë përlëvdohet Ati im: që të jepni shumë fryt e të bëheni dishepujt e mi. Unë ju kam dashur, ashtu siç më ka dashur Ati mua. Qëndroni në dashurinë time! Po të zbatoni urdhërimet e mia do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë kam zbatuar urdhërimet e Atit tim e qëndroj në dashurinë e tij. Këto jua thashë që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhërimi im: duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë ju. Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni ato që ju urdhëroj. Nuk ju quaj më shërbëtorë, se shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti. Por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njohur gjithçka që dëgjova prej Atit tim. Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha ju. Ju caktova të shkoni e të jepni fryt, që fryti juaj të mbetet dhe që Ati t'ju japë çfarëdo që t'i kërkoni në emrin tim. Këtë po ju urdhëroj: duajeni njëri-tjetrin». «Nëse bota ju urren, dijeni se më ka urryer mua para jush. Po të ishit prej kësaj bote, atëherë bota do t'ju donte si të vetët. Por, ngaqë ju kam zgjedhur nga bota e nuk jeni prej kësaj bote, prandaj dhe ju urren. Kujtoni fjalët që ju thashë: shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua do t'ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën. Por të gjitha këto do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi. Po të mos kisha ardhur e të mos u kisha folur, nuk do të kishin mëkat, por tani nuk kanë shfajësim për mëkatin e tyre. Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. Po të mos kisha bërë mes tyre veprat që askush tjetër nuk i ka bërë, nuk do të kishin mëkat, por tani kanë parë dhe më kanë urryer edhe mua, edhe Atin tim. Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: më urryen pa asnjë shkak. Kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t'ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, i cili del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua. Edhe ju do të dëshmoni, sepse keni qenë me mua që nga fillimi». «Jua thashë këto që të mos bini. Do t'ju përjashtojnë nga sinagogat. Madje, po vjen ora kur kushdo që do t'ju vrasë do të mendojë se i shërben Perëndisë. Dhe do t'i bëjnë këto, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua. Por këto gjëra jua thashë që, kur të vijë koha, t'ju kujtohet që unë jua kam thënë». «Nuk jua thashë këto që në fillim, se isha me ju. Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi dhe asnjëri nga ju nuk po më pyet “ku po shkon?”. Madje, zemra juaj është mbushur me trishtim ngaqë ju thashë këto gjëra. Por unë po ju them të vërtetën: është më mirë për ju që unë të shkoj, se po nuk shkova unë, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju, ndërsa po të shkoj, atëherë do t'jua dërgoj. Kur të vijë, ai do ta bindë botën se është fajtore në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin. Në lidhje me mëkatin, sepse nuk beson në mua. Në lidhje me drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati e nuk do të më shihni më. Në lidhje me gjykimin, sepse princi i kësaj bote është gjykuar. Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por tani nuk mund t'i mbani. Por kur të vijë Shpirti i së vërtetës, ai do t'ju drejtojë tek e gjithë e vërteta. Ai nuk do të flasë nga vetja, por do të flasë ato që do të dëgjojë e do t'ju njoftojë gjërat që do të ndodhin. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë nga gjërat e mia e do t'jua lajmërojë. Gjithçka që ka Ati është e imja, prandaj ju thashë se do të marrë nga të miat e do t'jua lajmërojë». «Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish ». Disa nga dishepujt i thanë njëri-tjetrit: «Ç'është kjo që na thotë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”, apo: “Unë po shkoj tek Ati”?». Ata thoshin: «Ç'është kjo, “edhe pak”, që thotë? Nuk po kuptojmë çfarë thotë!». Jezui e kuptoi se donin ta pyesnin, prandaj u tha: «Po diskutoni me njëri-tjetrin se thashë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”?. Me të vërtetë po ju them se do të qani e do të vajtoni, ndërsa bota do të gëzohet. Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim. Kur gruaja është duke lindur, hidhërohet, se i erdhi ora e dhimbjeve, por kur lind foshnja, ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka lindur një njeri në botë. Kështu dhe ju tani jeni të hidhëruar, por kur t'ju shoh përsëri, do t'ju gëzohet zemra dhe askush nuk do t'jua marrë gëzimin. Atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, do t'jua japë. Deri tani nuk keni kërkuar asgjë në emrin tim. Kërkoni e do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë». «Këto gjëra jua thashë me përngjasime, por po vjen koha kur nuk do t'ju flas më me përngjasime, por do t'ju flas hapur për Atin. Atë ditë do të kërkoni në emrin tim e nuk ju them se do t'i lutem Atit për ju. Vetë Ati ju do, sepse më keni dashur mua dhe keni besuar se unë kam dalë prej Perëndisë. Unë kam dalë prej Atit e kam ardhur në botë. Po e lë përsëri botën e po kthehem tek Ati». Dishepujt i thanë: «Ja, tani ti po flet hapur e nuk po thua asgjë me përngjasime. Tani e dimë se ti di gjithçka e nuk ke nevojë që ndokush të të pyesë. Prandaj besojmë se ke dalë prej Perëndisë». Jezui u përgjigj: «Tani besoni? Ja ku po vjen ora, e madje ka ardhur, kur ju do të shpërndaheni secili në shtëpi të vet e do të më lini vetëm. Por unë nuk jam vetëm, se Ati është me mua. Jua thashë këto që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngime, por kini guxim! Unë e kam mundur botën!». Si tha këto, Jezui ngriti sytë drejt qiellit e tha: «O Atë, erdhi ora. Përlëvdoje Birin tënd që edhe Biri të të përlëvdojë ty. Ti i ke dhënë pushtet mbi çdo njeri, në mënyrë që edhe ai t'u japë jetën e amshuar të gjithë atyre që ti i ke dhënë. Kjo është jeta e amshuar: të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që dërgove. Unë të kam përlëvduar mbi tokë duke kryer veprën që më dhe të bëj. E tani, më përlëvdo ti, o Atë, në praninë tënde, me lavdinë që kisha pranë teje, përpara se të bëhej bota. Emrin tënd ua shfaqa njerëzve që ti më dhe nga kjo botë. Ishin të tutë, ti m'i ke dhënë dhe e kanë mbajtur fjalën tënde. Tani ata e dinë se gjithçka që më ke dhënë është prej teje, sepse fjalët që më dhe mua ua dhashë atyre. Ata i pranuan, kuptuan se unë kam dalë me të vërtetë prej teje dhe besuan se ti më dërgove. Unë po lutem për ta. Nuk po lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. Gjithçka e imja është e jotja dhe gjithçka e jotja është e imja dhe në ta jam përlëvduar. Unë nuk jam më në botë. Ata janë në botë, ndërsa unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd, në emrin që më dhe mua, që të jenë një, sikurse ne. Kur isha me ta, i ruaja në emrin tënd, në emrin që ti më dhe. I mbrojta dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveç birit të humbjes që të përmbushet Shkrimi. Tani po vij te ti dhe këto gjëra i them në botë, që ta kenë të plotë gëzimin tim në veten e tyre. Unë u dhashë atyre fjalën tënde dhe bota i urreu, sepse ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. Nuk të kërkoj t'i heqësh nga bota, por t'i ruash nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. Shenjtëroji me të vërtetën; fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më dërgove mua në botë, ashtu edhe unë i dërgova ata në botë. Unë e shenjtëroj veten time për ta, që edhe ata të jenë të shenjtëruar me të vërtetën. Nuk të lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua nëpërmjet fjalës së tyre, kështu që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, edhe ata të jenë në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar. Unë u dhashë atyre lavdinë që ti më dhe, që të jenë një sikurse edhe ne jemi një. Unë jam në ta e ti në mua, që të jenë plotësisht një, që bota të kuptojë se ti më dërgove dhe se i ke dashur ata ashtu siç më ke dashur edhe mua. O Atë, dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që të shohin lavdinë time, që ti ma ke dhënë, sepse më ke dashur përpara se të krijohej bota. O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, por unë të kam njohur dhe këta e dinë se ti më dërgove. Ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që dashuria me të cilën më ke dashur mua të jetë në ta, sikurse dhe unë jam në ta». Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt. Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt. Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja, nga kryepriftërinjtë e farisenjtë, me fenerë, pishtarë dhe armë në duar. Jezui, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, u doli para e u tha: «Kë kërkoni?». Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam». Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi. Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën e ranë përdhe. Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?». Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit». Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë». Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë». Simon Pjetri kishte një shpatë. E nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill! Të mos e pi kupën e vuajtjeve që më dha Ati?». Atëherë kohorta, kryemijësi dhe rojat e judenjve e kapën Jezuin, e lidhën dhe e çuan së pari te Hanahu, vjehrri i Kajafës. Kajafa ishte kryeprifti i atij viti. Kishte qenë ky që i kishte këshilluar judenjtë se ishte më mirë që një njeri të vdiste për popullin. Jezuin e ndoqën Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Dishepulli tjetër ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri bashkë me Jezuin në oborrin e pallatit të kryepriftit. Por Pjetri mbeti jashtë te porta. Atëherë dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, doli jashtë t'i fliste shërbëtores që ruante derën dhe e futi Pjetrin brenda. Shërbëtorja që ruante derën i tha Pjetrit: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e atij njeriu?». Ai tha: «Nuk jam». Shërbëtorët e rojat bënë një zjarr me qymyr dhe qëndronin rreth tij e ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri rrinte me ta e ngrohej. Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij. Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga e në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë e nuk kam folur kurrë fshehtas. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë». Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë e i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?». Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja, por nëse fola mirë, përse më godet?». Atëherë Hanahu e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa. Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?». Ai e mohoi e tha: «Nuk jam». Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?». Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli. Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën. Atëherë Pilati doli përjashta e u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?». Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty». Pilati u tha: «Atëherë merreni ju e gjykojeni sipas ligjit tuaj». Judenjtë i thanë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri». Kjo, që të vërtetohej fjala që kishte thënë Jezui kur kishte treguar se me ç'vdekje do të vdiste. Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezuin e i tha: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui u përgjigj: «Këtë e thua nga vetja apo ta kanë thënë të tjerë?». Pilati i tha: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?». Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos bija në dorë të judenjve. Por mbretëria ime nuk është prej këtej». Atëherë Pilati i tha: «Pra, ti qenke mbret?». Jezui u përgjigj: «Ti vetë po e thua se unë jam mbret. Unë prandaj kam lindur e kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës e dëgjon zërin tim». Pilati i tha: «Çfarë është e vërteta?». Pasi tha këto fjalë, Pilati doli përsëri e u tha judenjve: «Unë nuk gjej asnjë shkak për ta dënuar. Ju keni zakonin t'ju liroj për Pashkë një të dënuar. A doni, pra, t'ju liroj mbretin e judenjve?». Ata thirrën përsëri: «Jo këtë, por Barabën». Baraba ishte kusar. Atëherë Pilati urdhëroi të merrej Jezui e të rrihej me fshikull. Ushtarët thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Pastaj e veshën me një petk të purpurt, i afroheshin, e godisnin me shuplaka e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». Pilati doli përsëri jashtë e u tha judenjve: «Ja, po jua sjell jashtë, që të shihni se nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». Jezui doli jashtë me kurorën e gjembave në kokë dhe i veshur me petkun e purpurt. Pilati u tha: «Ja njeriu!». Kur e panë, kryepriftërinjtë dhe rojat thirrën: «Kryqëzoje! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Merreni ju e kryqëzojeni, se unë nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». Judenjtë u përgjigjën: «Ne kemi një ligj dhe sipas tij ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë». Kur dëgjoi këto fjalë, Pilati u frikësua më shumë, hyri përsëri në pretorium dhe e pyeti Jezuin: «Nga je ti?». Jezui nuk i dha asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «Mua nuk më flet? A nuk e di ti se unë kam pushtet të të liroj dhe kam pushtet të të kryqëzoj?». Jezui u përgjigj: «Ti nuk do të kishe asnjë pushtet mbi mua, po të mos të të ishte dhënë nga lart. Prandaj ai që më dorëzoi te ti, ka mëkat edhe më të madh». Që nga ai çast Pilati kërkonte ta lironte Jezuin, por judenjtë thërrisnin: «Po e lirove këtë, nuk je më mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit!». Pilati, kur dëgjoi këto fjalë, e solli Jezuin jashtë dhe u ul në fronin e gjykatësit, në vendin që quhej «Rruga e Gurtë», në hebraisht «Gabbatha». Ishte e premte, dita e përgatitjes së Pashkës, rreth orës dymbëdhjetë të drekës. Pilati u tha judenjve: «Ja mbreti juaj!». Por ata thirrën: «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Mbretin tuaj të kryqëzoj?». Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: «Ne nuk kemi mbret tjetër, përveç Cezarit». Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej. Kështu, ata e morën Jezuin. Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre. Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova». Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë: i ndanë rrobat e mia mes tyre dhe hodhën short për petkun tim. Dhe ushtarët kështu bënë. Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij. Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt. Meqë ishte e premte judenjtë nuk donin që trupat të liheshin në kryq të shtunën se ajo e shtunë ishte ditë e madhe, prandaj i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve e t'i zbrisnin. Atëherë erdhën ushtarët e i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. Kur erdhën te Jezui dhe panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë. Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. Këto gjëra ndodhën që të përmbushet Shkrimi: nuk do t'i thyhet asnjë eshtër si dhe Shkrimi tjetër që thotë: do të shikojnë atë që shpuan me heshtë. Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin. Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje. Ata e morën trupin e Jezuit, e mbështollën me pëlhura dhe e lyen me vajra erëmirë, siç e kanë zakon judenjtë kur varrosin dikë. Në vendin ku u kryqëzua Jezui ndodhej një kopsht dhe brenda në kopsht ishte një varr i ri në të cilin ende nuk kishin varrosur njeri. Aty e varrosën Jezuin, meqenëse ishte e premtja para festës së judenjve dhe varri ishte afër. Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, ndërsa ishte ende errësirë, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa gurin të larguar nga hyrja. Atëherë ajo shkoi me vrap te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, ai të cilin Jezui e donte, e u tha: «E kanë marrë Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë». Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë e shkuan te varri. Vraponin që të dy, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe mbërriti i pari te varri. U përkul dhe pa pëlhurat e lëna atje, por nuk hyri brenda. Ndërkohë mbërriti edhe Simon Pjetri, që po vinte pas tij, dhe hyri në varr. Aty pa të lëna pëlhurat si dhe rizën që kishte qenë mbi kokën e Jezuit. Kjo nuk ishte me pëlhurat, por ishte e mbështjellë veç në një vend tjetër. Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër që kishte mbërritur i pari te varri. Ai pa dhe besoi. Ata nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin që thoshte se Jezui duhej të ngjallej prej të vdekurve. Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi. Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka e tjetri te këmbët. Ata i thanë: «Grua, përse po qan?». Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë». Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte më këmbë, por nuk e dinte se ishte ai. Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?». Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr». Jezui i tha: «Mari!». Ajo u kthye e i tha në hebraisht: «Rabbuni!» që do të thotë mësues. Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi e thuaju se unë po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, Perëndia im e Perëndia juaj». Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë. Në mbrëmjen e po asaj dite, të parën e javës, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin. Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju». Pasi tha këto, hukati mbi ta e u tha: «Merrni Shpirtin e shenjtë! Atyre që ua falni mëkatet, do t'u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t'u falen». Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui. Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin». Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj». Pas tetë ditësh, dishepujt ishin përsëri brenda në dhomë dhe me ta ndodhej edhe Thomai. Atëherë erdhi Jezui, megjithëse dyert ishin mbyllur, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia, shtrije dorën dhe vëre te brinja ime. Dhe mos dysho, por beso!». Thomai u përgjigj: «Zoti im e Perëndia im!». Jezui i tha: «Besove, sepse më pe. Lum ata që besojnë pa parë!». Jezui bëri para dishepujve të tij edhe shumë shenja të tjera që nuk janë shkruar në këtë libër. Këto u shkruan që ju të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetën në emrin e tij. Më pas Jezui iu shfaq përsëri dishepujve pranë liqenit të Tiberiadës dhe iu shfaq kështu: Simon Pjetri, Thomai, që e quanin Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. Simon Pjetri u tha: «Po shkoj të peshkoj». Ata i thanë: «Po vijmë edhe ne me ty». Shkuan e hipën në varkë, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur kishte zbardhur tashmë, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e njohën që ishte ai. Atëherë Jezui u tha: «Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata iu përgjigjën: «Jo». Ai u tha: «Hidhni rrjetën në të djathtë të varkës dhe do të kapni peshq». E hodhën rrjetën dhe nuk mund ta tërhiqnin nga numri i madh i peshqve. Dishepulli që Jezui e donte i tha Pjetrit: «Është Zoti». Kur dëgjoi se ishte Zoti, Simon Pjetri veshi rrobat, se ishte i zhveshur, e u hodh në liqen. Erdhën edhe dishepujt e tjerë me varkë duke tërhequr rrjetën e peshqve. Ata ishin rreth njëqind metra larg nga bregu. Kur dolën në tokë, panë një zjarr me prush mbi të cilin ishin vënë peshk e bukë. Jezui u tha: «Sillni nga peshqit që sapo zutë!». Simon Pjetri hipi në varkë dhe nxori në tokë rrjetën të mbushur plot me njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. Jezui u tha: «Ejani të hani!». Asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: «Kush je ti?», sepse e dinin që ishte Zoti. Atëherë Jezui u afrua, mori bukën e ua dha. Po kështu bëri edhe me peshkun. Kjo ishte tashmë hera e tretë që Jezui u ishte shfaqur dishepujve pasi ishte ngjallur prej të vdekurve. Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!». Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!». Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia! Me të vërtetë po të them se kur ishe i ri, e ngjishje rripin në brez e shkoje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të ta ngjeshë rripin e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje». Këtë e tha për të treguar se me ç'vdekje do të përlëvdonte Pjetri Perëndinë. Pastaj i tha: «Më ndiq!». Pjetri u kthye dhe pa se po i ndiqte edhe dishepulli që Jezui e donte, ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezuit gjatë darkës dhe i kishte thënë: «Zot, kush është ai që po të tradhton?». Pjetri, kur e pa, i tha Jezuit: «Zot, po me të ç'do të bëhet?». Jezui i tha: «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet? Ti më ndiq!». Atëherë midis vëllezërve u përhap fjala se ai dishepull nuk do të vdiste, por Jezui nuk kishte thënë se ai nuk do të vdiste, por «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet?». Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi ato. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jezui që, po të shkruheshin një nga një, them se do të bëheshin aq libra sa as bota e tërë nuk do t'i nxinte. Në librin e parë, o Teofil, shkrova për gjithçka që Jezui bëri e u mësoi të tjerëve që nga fillimi e deri ditën kur u ngrit në qiell, pasi u kishte dhënë udhëzime nëpërmjet Shpirtit të shenjtë apostujve që kishte zgjedhur. Jezui, pas vuajtjeve dhe vdekjes, iu paraqit atyre i gjallë për dyzet ditë me shumë prova bindëse dhe u foli për mbretërinë e Perëndisë. Kur po hante me ta, i urdhëroi: «Mos u largoni nga Jerusalemi, por prisni aty premtimin e Atit që keni dëgjuar nga unë. Gjoni pagëzoi me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë». Ata që ishin mbledhur rreth Jezuit e pyetën: «Zot, a është kjo koha kur ti do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit?». Ai iu përgjigj: «Nuk ju takon juve të dini as kohën, as orën që ka caktuar Ati në pushtetin e vet, por kur të zbresë mbi ju Shpirti i shenjtë do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut». Pasi tha këto gjëra, Jezui u ngrit lart në qiell, ndërsa ata po e shihnin dhe një re e mori lart e ata nuk e panë më. Ndërsa vazhdonin të shikonin drejt qiellit, andej nga ishte larguar Jezui, dy burra të veshur me të bardha qëndruan pranë tyre e u thanë: «Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezu, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell». Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve që është afër Jerusalemit rreth një kilometër. Kur hynë në qytet, shkuan te dhoma e sipërme e shtëpisë ku rrinin. Ata ishin Pjetri e Gjoni, Jakobi e Andrea, Filipi e Thomai, Bartolomeu e Mateu, Jakobi i Alfeut, Simon Zelltari e Juda i Jakobit. Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes, së bashku me disa gra, me Marinë, nënën e Jezuit, e me vëllezërit e tij. Në ato ditë, në të njëjtin vend ku ishin mbledhur rreth njëqind e njëzet veta, u ngrit Pjetri mes vëllezërve e tha: «Vëllezër, duhej të përmbushej Shkrimi që Shpirti i shenjtë e paratha nëpërmjet Davidit për Judën, i cili u bë udhëheqësi i atyre që kapën Jezuin. Juda ishte njëri prej nesh dhe kishte marrë pjesë në shërbesën tonë. Ai bleu një arë me shpërblimin e mbrapshtisë së vet. Aty u përplas me kokë poshtë, iu ça barku e iu derdhën të gjitha zorrët. Të gjithë banorët e Jerusalemit e morën vesh këtë gjë, prandaj ara u quajt në gjuhën e tyre “Hakeldama” që do të thotë “Ara e Gjakut”. Dhe ja se çfarë shkruhet në librin e Psalmeve: u shkretoftë shtëpia e tij e mos banoftë askush në të! dhe tjetërkush ia zëntë vendin! Prandaj, njëri nga burrat që ka qenë me ne gjatë gjithë kohës kur Zoti Jezu shkonte bashkë me ne nga një vend në tjetrin, duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit, deri ditën kur Jezui u largua prej nesh e u ngrit në qiell, duhet të bëhet dëshmitar i ngjalljes së tij bashkë me ne». Atëherë paraqitën dy veta: Jozefin, që quhej Barsabë e që thirrej Just, dhe Matinë. Pastaj u lutën kështu: «Zot, ti i njeh zemrat e të gjithëve. Na trego cilin prej këtyre të dyve ke zgjedhur për të zënë vendin e Judës në këtë shërbesë e për t'u bërë apostull, sepse Juda e la këtë shërbesë e shkoi udhës së vet». Pastaj hodhën short e shorti i ra Matisë, i cili u bashkua me të njëmbëdhjetë apostujt e tjerë. Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend. Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin. Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri. Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur. Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës. Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit. Të mahnitur e të habitur thoshin: «A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin? Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh? Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë, të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma, judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë». Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'do të thotë kjo gjë?». Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht». Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit, por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel: Në ditët e fundit, thotë Perëndia, do të ndodhë kështu: unë do të dikoj Shpirtin tim te të gjithë njerëzit. Bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime e pleqve tuaj do t'u flas përmes ëndrrave. Edhe mbi shërbëtorët e shërbëtoret e mia do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë e ata do të profetizojnë. Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme lart në qiell e shenja poshtë në tokë, gjak, zjarr e shtëllunga tymi. Dielli do të kthehet në errësirë e hëna në gjak para se të vijë dita madhështore dhe e lavdishme e Zotit. Atëherë, kushdo që të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet. Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë. Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve. Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj. Davidi thotë për të: Zotin e kisha gjithmonë para syve. Ai është në të djathtën time, që të mos lëkundem. Prandaj u gëzua zemra ime, gjuha ime u ngazëllua e trupi im do të prehet në shpresë, se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë shpirtin tim, as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd të shohë kalbjen. Ti më ke treguar udhët e jetës e do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde. Vëllezër, më duhet t'ju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot. Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin. Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit: ai nuk u braktis në skëterrë dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen. Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë. Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni e po e dëgjoni. Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë: I tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa të t'i vë armiqtë e tu si shtrojë të këmbëve të tua. Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht». Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra e u thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Ç'duhet të bëjmë, o vëllezër?». Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë. Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja». Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë». Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. Ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve, bashkësisë me njëri-tjetrin, thyerjes së bukës e lutjeve. Të gjithë i zuri frika, sepse apostujt bënin shumë mrekulli e shenja. Të gjithë besimtarët ishin të bashkuar dhe kishin gjithçka të përbashkët. Ata shisnin pasuritë dhe pronat e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili. Çdo ditë, pasi rrinin bashkë në tempull, thyenin bukën në shtëpi dhe hanin ushqim me zemër të gëzuar e të çiltër. Ata lavdëronin Perëndinë dhe populli i kishte për zemër. Zoti u shtonte atyre çdo ditë ata që shpëtoheshin. Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite. Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë të çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit që quhet «e Bukura», për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull. Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë. Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë e i thanë: «Na shiko!». Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre, por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!». Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet. Ai brofi më këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë. I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë. Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te «Dera e Bukur» e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit. Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit». Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu: «Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit? Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi. Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë. Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve. E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj. Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante. Prandaj pendohuni e kthehuni që t'ju shlyhen mëkatet, që të vijë koha kur Zoti do t'ju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë. Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e përtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh. Moisiu ka thënë: Zoti, Perëndia juaj, do të nxjerrë prej jush, mes vëllezërve tuaj, një profet si unë. Dëgjojeni për gjithçka që do t'ju thotë! Kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej popullit. Dhe të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur, që nga Samueli e deri te të tjerët pas tij, i kanë paralajmëruar këto ditë. Ju jeni bijtë e profetëve e të besëlidhjes që Perëndia u ka dhënë etërve tuaj kur i tha Abrahamit: nëpërmjet pasardhësit tënd do të bekohen të gjithë popujt e tokës. Kur Perëndia e ngjalli Birin e vet, e dërgoi së pari te ju, që t'ju bekonte, duke larguar secilin prej jush nga ligësitë e veta». Kur Pjetri e Gjoni po i flisnin popullit, priftërinjtë, kryeroja i tempullit e saducenjtë, iu afruan të zemëruar që ata po mësonin popullin e po shpallnin se të vdekurit do të ngjallen përmes Jezuit. Atëherë i kapën e i mbajtën në burg deri të nesërmen, meqë tashmë ishte mbrëmje. Shumë prej atyre që e kishin dëgjuar fjalën e Pjetrit, besuan dhe numri i burrave që besuan arriti në rreth pesë mijë. Të nesërmen krerët e judenjve, pleqtë e shkruesit, u mblodhën në Jerusalem me kryepriftin Hanah, me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin e të gjithë ata të familjes kryepriftërore. Ndërsa Pjetri e Gjoni qëndronin në këmbë në mes tyre, ata i pyetën: «Me ç'fuqi apo në emër të kujt e bëtë këtë gjë?». Atëherë Pjetri, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, u tha: «Krerë të popullit e pleq të Izraelit, ju po na merrni në pyetje sot për një vepër të mirë që i kemi bërë një të sëmuri dhe doni të dini sesi u shërua ky njeri. Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve. Jezui është guri që ju ndërtuesit e hodhët tej e që u bë guri i qoshes. Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim». Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit dhe kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin. Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin. Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin e të thoshin: «Ç'të bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një shenjë që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë. Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t'i kërcënojmë që të mos u flasin më njerëzve në emër të Jezuit». Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit. Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju dëgjojmë ju apo Perëndinë? Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar». Ata, pasi nuk gjetën arsye për t'i dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur. Njeriu që ishte shëruar përmes kësaj shenje ishte mbi dyzet vjeç. Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë. Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë e thanë: «O Zot, ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to, ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të shenjtë: përse u zemëruan kombet e popujt thurin shestime të kota? Mbretërit e tokës janë përgatitur e princat janë mbledhur së bashku kundër Zotit e kundër Krishtit të tij. Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht, që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin. E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim. Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin shenja e mrekulli përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë». Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trand. Atëherë u mbushën me Shpirtin e shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë. Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët. Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve. Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin e ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës. Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «Bir i ngushëllimit», shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve. Një burrë që quhej Hananiah, bashkë me gruan e tij Sapfirën, shiti një pronë. Një pjesë të fitimit e fshehu, me dijeninë e gruas, ndërsa pjesën tjetër ua dorëzoi apostujve. Atëherë Pjetri i tha: «Hananiah, pse ta pushtoi zemrën Satani, që të gënjesh Shpirtin e shenjtë e të fshehësh një pjesë të fitimit të tokës? Sa ishte pa shitur, a nuk ishte e jotja? Dhe kur e shite, a nuk e kishe ti në dorë të bëje ç'të doje me fitimin? Si vallë zuri vend në zemrën tënde ky veprim? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por ke gënjyer Perëndinë». Kur dëgjoi këto fjalë, Hananiahu u rrëzua e dha shpirt. Të gjithë ata që i dëgjuan këto, i zuri një frikë e madhe. Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën. Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananiahut, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur. Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?». Ajo i tha: «Po, për kaq». Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej». Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt. Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet. Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe. Në popull bëheshin shumë shenja e mrekulli përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit. Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte. Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë. Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre. Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan. Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë dhe i kapën apostujt e i futën në burg. Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha: «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re ». Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit. Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu. Por kur rojat arritën te burgu, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen e njoftuan: «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar më këmbë te dyert. Por kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda». Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte. Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin». Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti: «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu». Pjetri e apostujt u përgjigjën: «Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit. Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si prijës e shpëtimtar, për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e shenjtë që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij». Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t'i vrisnin. Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t'i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë. Pastaj u tha atyre: «Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz. Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën. Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë. Prandaj, tani, po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve e t'i lini të shkojnë, se nëse shestimi apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë. Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t'i shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë». Ata e dëgjuan Gamalielin dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë. Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit. Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu. Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, greqishtfolësit u ankuan ndaj hebraishtfolësve, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit. Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve e thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë. Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirt e me urti, që t'i ngarkojmë me këtë detyrë. Ne, nga ana jonë, do t'i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës». Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin e Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve. Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta. Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin. Stefani, njeri plot hir e fuqi, bënte mrekulli e shenja të mëdha në popull. Atëherë, disa nga sinagoga e të ashtuquajturve libertinë, bashkë me disa kireneas, me disa aleksandrinë dhe me disa judenj nga Kilikia e Azia, filluan të rragateshin me Stefanin. Por ata nuk mundën t'i bënin ballë urtisë dhe Shpirtit që i ndriçonte mendjen kur fliste. Atëherë vunë disa njerëz të thoshin se e kishin dëgjuar duke thënë fjalë fyese kundër Moisiut e Perëndisë. Kështu, ngritën në këmbë popullin, pleqtë e shkruesit dhe iu afruan Stefanit, e kapën dhe e çuan para sinedrit. Aty sollën disa dëshmitarë të rremë që thanë: «Ky njeri nuk ka reshtur së foluri kundër këtij vendi të shenjtë e kundër Ligjit. Ne e kemi dëgjuar të thotë se ky Jezui i Nazaretit do ta shkatërrojë këtë vend e do t'i ndryshojë doket që na ka lënë Moisiu». Të gjithë ata që ishin ulur në sinedër e panë me vëmendje dhe panë se fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli. Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?». Stefani tha: «Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, e i tha: dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj. Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran. Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju. Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t'ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë. Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhe të huaj e atje do t'i skllavëronin e do t'i keqtrajtonin për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t'i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend. Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët. Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të. Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet. Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë. Por kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë. Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit. Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij, Jakobin, e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta. Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën, dhe trupat e tyre i sollën në Shekem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Shekem. Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt, derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër që nuk e njihte Jozefin. Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t'i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë. Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t'i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij. Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t'i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt. Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë. Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. Etërit tanë nuk deshën t'i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç'u bë me të. Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre. Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve: a më kushtove kafshë të therura dhe flijime, dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit? Ju morët me vete tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Refan, shëmbëllimet që i bëtë vetë për t'i adhuruar, prandaj do t'ju shpërngul përtej Babilonisë. Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë. Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti: qielli është froni im e toka është shtroja e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni, thotë Zoti, ose cili është vendi ku do të gjej prehje? A nuk i ka bërë dora ime të gjitha këto gjëra? Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t'i kundërviheni Shpirtit të shenjtë. Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij. Ju jeni ata që morën ligjin, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat». Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit. Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë e Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë. Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!». Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij. Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë. Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul. Ndërsa e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!». Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq. Sauli e miratoi vrasjen e Stefanit. Atë ditë filloi një përndjekje e madhe ndaj kishës në Jerusalem. Përveç apostujve, të gjithë u shpërndanë nëpër fshatrat e Judesë e të Samarisë. Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë. Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg. Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin. Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin. Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat që bënte. Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë. Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë dhe thoshte se ishte njeri i madh. Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, nga më të vegjlit te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë». Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij. Por kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra. Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte shenjat dhe veprat e fuqishme që ndodhnin. Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e shenjtë, sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu. Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e shenjtë. Kur Simoni pa se Shpirti u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e shenjtë». Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë! Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë. Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër. Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit». Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë». Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë. Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë. Filipi u ngrit e shkoi. Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar e tani po kthehej, ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isai. Atëherë Shpirti i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!». Filipi shkoi me vrap, e dëgjoi eunukun duke lexuar profetin Isai e i tha: «A e kupton atë që po lexon?». Ai i tha: «E si mund ta kuptoj po nuk më udhëzoi dikush?». Pastaj e ftoi Filipin të hipte në karrocë e të ulej pranë tij. Pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: e çuan si dele për t'u therur, si qengjin që shkon për t'u qethur pa bëzajtur e ai nuk e hapi gojën. E poshtëruan e ia mohuan drejtësinë. E kush mund të flasë për pasardhësit e tij? Sepse jetës së tij i dhanë fund mbi tokë. Eunuku e pyeti Filipin: «Të lutem, për kë e thotë këtë gjë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?». Atëherë Filipi filloi të fliste e duke u nisur nga ky Shkrim i shpalli Jezuin. Ai urdhëroi të ndalej karroca. Filipi dhe eunuku shkuan tek uji dhe Filipi e pagëzoi. Kur dolën nga uji, Shpirti i Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më. Pastaj shkoi plot gëzim udhës së vet. Filipi u gjend në Azot dhe, gjatë udhës, u predikonte ungjillin të gjitha qyteteve, derisa arriti në Cezare. Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti dhe i kërkoi që ky t'i shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem. Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit. Ai u rrëzua e dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?». Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?». Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui që ti po përndjek. Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh». Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri, as nuk piu për tri ditë. Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hananiah. Zoti i tha atij në një vegim: «Hananiah!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot». Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet “e Drejtë” dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hananiah duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që t'i kthehet shikimi». Por Hananiahu u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë të shenjtëve të tu në Jerusalem ky njeri. Ndërsa këtu ka ardhur i ngarkuar nga kryepriftërinjtë për t'u vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty». Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. Unë do t'i tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim». Atëherë Hananiahu shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin e i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që t'u shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e shenjtë». Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia. Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë. Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për t'u vënë prangat e për t'i çuar te kryepriftërinjtë?». Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti. Pasi kaluan disa ditë, judenjtë i ngritën kurth për ta vrarë, por Sauli e mori vesh kurthin e tyre. Natë e ditë ata i ruanin portat e qytetit që ta vrisnin Saulin. Atëherë dishepujt e tij e morën natën, e nxorën nga e çara e një muri dhe e zbritën me një kosh. Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, se nuk besonin që ai ishte dishepull. Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit. Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit. Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin. Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars. Ndërkohë, në të gjithë Judenë, Galilenë e Samarinë, kisha kishte paqe dhe përparonte duke jetuar me druajtjen e Zotit e rritej me ngushëllimin e Shpirtit të shenjtë. Ndërsa Pjetri po përshkonte gjithë krahinat përreth, shkoi edhe te të shenjtët që jetonin në Lidë. Atje gjeti një njeri me emrin Enea, i cili kishte tetë vjet që dergjej në shtrat, i paralizuar. Atëherë Pjetri i tha: «Enea, Jezu Krishti po të shëron. Ngrihu e rregulloje shtratin!». Ai u ngrit menjëherë. Të gjithë banorët e Lidës e të Sharonit e panë këtë e u kthyen te Zoti. Në Jopë jetonte një dishepulle me emrin Tabita, që e përkthyer do të thotë Gazelë. Ajo bënte shumë vepra të mira e jepte shumë lëmoshë. Ato ditë ajo u sëmur e vdiq. Pasi e lanë me ujë, e vendosën në dhomën e sipërme. Lida ishte afër Jopës dhe dishepujt, kur dëgjuan se Pjetri ishte aty, dërguan tek ai dy burra me këtë lutje: «Eja te ne pa vonesë». Atëherë Pjetri u ngrit e shkoi me ta. Kur arriti, e çuan te dhoma e sipërme. Të gjitha vejushat iu afruan duke qarë e duke i treguar tunikat e rrobat e tjera që kishte bërë Gazela kur kishte qenë gjallë. Pjetri i nxori të gjithë përjashta dhe ra në gjunjë e u lut. Pastaj iu drejtua të vdekurës e tha: «Tabita, ngrihu!». Atëherë ajo hapi sytë, pa Pjetrin dhe u ngrit ndenjur. Pjetri i dha dorën dhe e ngriti në këmbë. Pastaj thirri të shenjtët dhe vejushat dhe ua tregoi Tabitën gjallë. E gjithë Jopa e mori vesh këtë gjë e shumë veta besuan në Zotin. Ndërkohë Pjetri qëndroi në Jopë për pak kohë me njëfarë Simoni që ishte lëkurëpunues. Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte kryeqindës i asaj që quhej kohorta italike. Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë. Një pasdite, rreth orës tre, pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!». Ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?». Engjëlli i tha: «Lutjet e lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar. Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër. Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi që e ka shtëpinë afër detit ». Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë. Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë. Të nesërmen, rreth mesditës, ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për t'u lutur. Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve, të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit. Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!». Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell. Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë». Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi. Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të. Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar. Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam». Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje. Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë. Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?». Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh, pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme. Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua. Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit”. Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash». Atëherë Pjetri filloi t'u fliste: «Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt. Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia. Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave. Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, dhe tregon sesi Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e shenjtë e me fuqi, sesi ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të. Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem. Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit, por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t'i shfaqej jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve. Jezui na urdhëroi t'i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve. Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij». Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin. Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të shenjtë iu dha edhe kombeve dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha: «A mund t'ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e shenjtë sikurse edhe ne?». Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë. Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, besimtarët e rrethprerë e sulmuan me fjalë e i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta». Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur: «Isha në qytetin e Jopës e po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë. Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësha të tokës, egërsira, rrëshqanorë e shpendë të qiellit. Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha”. Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, se nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra”. Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”. Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell. Menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezareja, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne. Shpirti më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu. Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër. Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen”. Kur fillova të flisja, Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim. Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë”. Nëse Perëndia u dha kombeve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?». Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe kombeve pendimin që udhëheq drejt jetës». Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve e askujt tjetër. Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës. Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti. Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki. Kur ai arriti atje dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua e i porositi të gjithë që t'i qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër. Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin. Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin. Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë. Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi. Njëri prej tyre, që quhej Hagab, tregoi me anë të Shpirtit se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi. Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit që ishin në Jude. Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën e Saulin. Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë. Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të ndorme. Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit. Ndërsa Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të. Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun. Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë e i tha: «Ngrihu shpejt!». Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart. Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Hidh gunën e më ndiq». Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim. Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë. Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndër mend të bënin me mua». Si e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të cilin e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin. Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën. Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera. Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij». Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur. Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi sesi Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit e vëllezërve». Pastaj doli e shkoi në një vend tjetër. Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty. Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që t'i vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty. Herodi ishte shumë i zemëruar me banorët e Tirit e të Sidonit. Atëherë ata ranë në një mendje, shkuan tek ai dhe, pasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet nga mbretëria e tij. Në ditën e caktuar Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fron dhe mbajti një fjalim. Populli brohoriste: «Ky është zë perëndie e jo njeriu». E menjëherë një engjëll i Zotit e goditi Herodin, meqë ai nuk i dha lavdi Perëndisë. Ai dha shpirt i brejtur nga krimbat. Dhe fjala e Perëndisë përhapej gjithnjë e më shumë. Barnaba e Sauli, pasi e përfunduan shërbesën në Jerusalem, u kthyen dhe morën me vete Gjonin që quhej edhe Mark. Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod Tetrarkut dhe Sauli. Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i shenjtë tha: «M'i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur». Pastaj, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën. Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro. Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte. Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan njëfarë magjistari, një profet të rremë jude, me emrin Barjezu. Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre e u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi. Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ia nguli sytë e i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit? Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe». Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore. Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit. Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë, ndërsa Gjoni u nda prej tyre e u kthye në Jerusalem. Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë. Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën. Pas leximit të ligjit e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t'u thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thuajeni». Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha: «Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni: Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë. Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel. Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Benjaminit, që mbretëroi për dyzet vjet. Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “ Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t'i plotësojë tërë dëshirat e mia”. Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin. Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej. Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh sandalet”. Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve. Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë. Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste. Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr. Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galilea në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit. Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë, Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet: ti je Biri im, të kam lindur sot. Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë: Unë do t'ju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit. Prandaj në një psalm tjetër ka thënë: nuk do të lejosh, që i Shenjti yt të shohë kalbjen. Davidi, në kohën e tij, i shërbeu shestimit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet e u kalb. Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb. Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut. Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë. Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët: shikoni o përbuzës, mrekullohuni e zhdukuni, se unë do të bëj një vepër të tillë në ditët tuaja, vepër që nuk do ta besonit kurrë, edhe po t'ua thoshte dikush». Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t'u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë. Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. Por kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali. Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim: «Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t'u drejtohemi kombeve. Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu: të kam caktuar të jesh dritë për kombet, që të çosh shpëtimin deri në skajet e dheut». Kur e dëgjuan këtë, kombet u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin. Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë. Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre. Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon. Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e shenjtë. Në Ikon, Pali e Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në një mënyrë të tillë saqë një numër i madh judenjsh e helenësh besuan në Jezuin. Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve. Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin shenja e mrekulli, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë. Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë, disa me apostujt. Kur kombet dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, shestuan që t'i keqtrajtonin e t'i vrisnin me gurë, apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth. Aty vazhduan të shpallnin ungjillin. Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë. Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej, i tha me zë të lartë: «Ngrihu më këmbë!». Atëherë ai u ngrit më këmbë e filloi të ecte. Kur panë se ç'bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në trajtë njeriu!». Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë. Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t'u kushtonin flijime. Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur: «O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to. Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre. Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja». Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime. Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur. Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë. Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki. Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve e u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë». Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar. Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili. Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë e shkuan në Atali. Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar. Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve. Pali e Barnaba ndenjën atje me dishepujt për shumë kohë. Disa veta erdhën nga Judeja dhe i mësonin vëllezërit kështu: «Nëse nuk rrethpriteni sipas dokeve të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni». Atëherë pati një zënkë të fortë mes tyre dhe Palit e Barnabës, sepse nuk ishin në një mendje. Kështu u caktua që Pali, Barnaba dhe disa prej atyre që kishin ardhur nga Judeja, të shkonin në Jerusalem e të flisnin për këtë çështje me apostujt e me pleqtë e kishës. Kisha i përcolli e u dha çfarë u nevojitej për udhëtim. Kur kaluan nëpër Fenikë e Samari, kudo ku shkonin, tregonin për kthimin në besim të kombeve. Të gjithë vëllezërit u gëzuan shumë. Kur arritën në Jerusalem, kisha, apostujt e pleqtë i mirëpritën. Ata u treguan gjithçka që kishte bërë Perëndia përmes tyre. Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Të kthyerit në besim duhet të rrethpriten e të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut». Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje. Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha: «Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë. Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve. Ai i pastroi zemrat e tyre me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre. Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne? Përkundrazi, ne besojmë se do të shpëtohemi përmes hirit të Zotit Jezu, sikurse do të shpëtohen edhe ata». Ata heshtën të gjithë dhe dëgjonin Barnabën e Palin që tregonin për të gjitha shenjat e mrekullitë që Perëndia kishte bërë përmes tyre mes kombeve. Pasi mbaruan së foluri këta, Jakobi tha: «Vëllezër, më dëgjoni. Simon Pjetri na tregoi sesi për herë të parë Perëndia u përkujdes për të bërë nga kombet një popull që t'i përkasë atij. Kjo përkon me fjalët e profetëve, sikurse është shkruar: pas këtyre gjërave, unë do të kthehem e do ta ringre tendën e Davidit që është rrëzuar. Do ta ringre nga rrënojat e saj e do ta lartësoj sërish, kështu që, të gjithë njerëzit e tjerë të mund ta kërkojnë Zotin e po ashtu edhe të gjithë kombet që janë bërë populli im. Kështu thotë Zoti që i bën këto gjëra të njohura që nga amshimi. Prandaj mendoj se nuk duhet t'u vëmë barrë kombeve që kthehen te Perëndia, por duhet t'u shkruajmë që të heqin dorë nga mishi i ndotur që u është kushtuar idhujve, nga kurvëria, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga pirja e gjakut. Urdhërimet e Moisiut njihen mirë, se që nga kohët e shkuara janë lexuar çdo të shtunë nga ata që i kanë predikuar në sinagogat e çdo qyteti». Atëherë apostujt e pleqtë, me pëlqimin e të gjithë kishës, menduan të zgjidhnin disa prej tyre për t'i dërguar në Antioki me Palin e Barnabën. Këta ishin Juda, që e quanin Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezërit. Ata shkruan me dorën e tyre: «Vëllezërit apostuj e pleqtë e kishës, u shkruajnë vëllezërve që vijnë nga kombet e që janë në Antioki, në Siri e në Kiliki: përshëndetje! Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin, kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e t'i dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht. Kemi dërguar Judën e Silën që do t'jua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra. Shpirti i shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet t'ju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme: hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra. Ju priftë e mbara!». Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën. Kur e lexuan letrën, u gëzuan me këtë porosi që i ngushëlloi. Juda e Sila, që ishin vetë profetë, folën shumë për t'u dhënë zemër vëllezërve e për t'i forcuar. Por Pali e Barnaba qëndruan në Antioki dhe me shumë të tjerë mësonin njerëzit dhe shpallnin ungjillin e fjalën e Zotit. Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: «Të kthehemi e të takojmë vëllezërit në të gjitha qytetet ku kemi predikuar fjalën e Zotit e të shohim si i kanë punët». Barnaba donte që të merrnin edhe Gjonin që quhej Mark, por Pali nguli këmbë që të mos e merrnin me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili e nuk i kishte shoqëruar në veprën e tyre. Ata u grindën aq shumë, saqë u ndanë nga njëri-tjetri dhe Barnaba mori Markun e lundroi për në Qipro. Pali zgjodhi Silën e u nis pasi vëllezërit ia besuan Palin hirit të Zotit. Ai shkoi nëpër Siri e Kiliki dhe i forconte kishat. Pali arriti në Derbë e pastaj edhe në Listër. Atje jetonte një dishepull me emrin Timote. Nëna e tij ishte judease që kishte besuar në Jezuin, ndërsa i ati ishte helen. Për të flisnin mirë vëllezërit në Listër e në Ikon. Pali deshi që Timoteu ta shoqëronte, prandaj e mori me vete dhe e rrethpreu për shkak të judenjve që jetonin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte helen. Ndërsa shkonin nga qyteti në qytet, i njoftonin njerëzit për vendimet që ishin marrë nga apostujt e pleqtë e kishës në Jerusalem dhe i porosisnin që t'i zbatonin. Kështu kishat forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër çdo ditë. Ata kaluan nëpër krahinën e Frigjisë e të Galatisë, sepse Shpirti i shenjtë ua kishte ndaluar ta predikonin fjalën e Perëndisë në Azi. Kur arritën afër Misisë, u munduan të shkonin në Bitini, por Shpirti i Jezuit nuk i lejoi, prandaj kaluan nëpër Misi e shkuan në Troadë. Gjatë natës Pali pa një vegim. Përpara i qëndronte një maqedonas, që i lutej e i thoshte: «Eja në Maqedoni e na ndihmo!». Kur pa këtë vegim, menjëherë u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, të bindur se Perëndia na kishte thirrur t'ua shpallnim ungjillin atyre. Pastaj lundruam nga Troada drejt Samotrakës e të nesërmen për në Neapojë dhe që aty në Filipi që është qyteti kryesor i asaj krahine të Maqedonisë dhe koloni romake. Ne u ndalëm në këtë qytet për disa ditë. Ditën e shtunë dolëm jashtë portës së qytetit përgjatë lumit, ku mendonim se ishte vendi i zakonshëm për lutje. Atëherë u ulëm dhe u folëm grave që ishin mbledhur aty. Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali. Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë. Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve. Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë e ju shpallin udhën e shpëtimit». Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë. Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit. Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj e po predikojnë doke që ne romakëve nuk na lejohet t'i mbajmë e t'i zbatojmë». Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t'u shqyenin rrobat e t'i rrihnin me shkopinj. Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t'i ruante me kujdes. Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri. Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin. Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur. Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu». Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës. Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç'duhet të bëj, që të shpëtohem?». Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate». Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij. Po në atë orë të natës roja i mori e u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij. Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë. Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për t'i thënë: «Liroji ata njerëz». Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë t'ju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe». Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne, që jemi qytetarë romakë, e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë». Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë. Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti. Pasi dolën nga burgu, Pali e Sila shkuan në shtëpinë e Lidisë. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën. Sila e Pali, pasi kaluan nëpër Amfipojë e Apoloni, arritën në Selanik, ku gjendej një sinagogë e judenjve. Pali hyri brenda, sikurse e kishte zakon, dhe për tri të shtuna u mësonte Shkrimet, u shpjegonte e u provonte se Krishti duhej të vuante e të ngjallej prej të vdekurve. Ai u tha: «Ky Krisht, të cilin po jua shpall juve, është Jezui». Disa prej tyre u bindën e shkuan pas Palit e Silës, sikurse edhe shumë helenë që ishin kthyer në besimin e judenjve dhe disa gra nga shtresat e larta. Por judenjtë të nxitur nga smira, mblodhën disa njerëz të mbrapshtë nga ata që endeshin nëpër treg dhe pasi u bënë turmë, shkaktuan trazira në qytet. Ata sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe po kërkonin të gjenin Palin e Silën për t'i nxjerrë para popullit. Pasi nuk i gjetën, e tërhoqën zvarrë Jasonin bashkë me disa vëllezër dhe i nxorën para krerëve të qytetit duke bërtitur: «Ata që kanë bërë rrëmujë gjithë botën kanë ardhur edhe këtu e Jasoni i ka strehuar. Të gjithë këta veprojnë në kundërshtim me urdhrat e Cezarit e thonë se mbret na qenka tjetërkush, Jezui». Kështu, me këto fjalë, i acaruan turmën dhe krerët e qytetit që po dëgjonin. Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve para si dorëzani, i lanë të shkonin. Atë natë vëllezërit i nisën Palin e Silën në Berea. Kur arritën atje, shkuan në sinagogën e judenjve. Këta judenj ishin më fisnikë se ata të Selanikut dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe. Çdo ditë shqyrtonin Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin kështu. Prandaj shumë prej tyre besuan bashkë me disa gra helene fisnike, si dhe shumë burra. Por kur judenjtë e Selanikut morën vesh se Pali e kishte predikuar fjalën e Perëndisë edhe në Berea, erdhën deri aty që të nxisnin turmat e të bënin rrëmujë. Atëherë vëllezërit e nisën Palin në drejtim të detit, ndërsa Sila e Timoteu mbetën aty. Ata që e shoqëruan Palin, e çuan deri në Athinë e pastaj u kthyen të porositur prej tij që Sila e Timoteu të shkonin tek ai sa më parë. Ndërsa po i priste në Athinë, Pali u mërzit shumë kur pa se qyteti ishte plot me idhuj. Ai diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me të kthyerit në besimin e judenjve dhe çdo ditë fliste në sheshin e tregut me ata që ndodheshin aty. Disa filozofë epikurianë e stoikë po diskutonin me të. Disa thanë: «Çfarë po përpiqet të na thotë ky fjalaman?». Disa të tjerë thanë: «Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja». Këtë e thanë sepse ai po predikonte ungjillin e Jezuit dhe ngjalljen. Atëherë e morën, e çuan në Areopag dhe e pyetën: «A mund ta dimë çfarë është ky mësim i ri për të cilin po flet? Na tingëllojnë si gjëra të çuditshme, prandaj dëshirojmë të dimë ç'kuptim kanë ato». Në të vërtetë, të gjithë athinasit e të huajt që jetonin aty, nuk e kalonin kohën ndryshe veçse duke treguar apo duke dëgjuar ndonjë të re. Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha: «Athinas, unë po shoh se jeni njerëz shumë fetarë në gjithçka. Duke ecur nëpër qytet e duke parë me vëmendje vendet e shenjta ku ju adhuroni, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: “Perëndisë së panjohur”. Atë që ju e adhuroni si të panjohur, unë po jua shpall. Perëndia që bëri botën dhe gjithçka gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve. Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë e gjithçka, nuk pret t'i shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë. Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët e kufijtë e vendit ku duhet të banojnë. Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë e të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh. “Në të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj, se edhe ne jemi bijtë e tij”. E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve. Por Perëndia nuk i mori parasysh kohët e padijes njerëzore, veçse tani i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen, sepse e ka caktuar ditën kur do të gjykojë me drejtësi botën përmes njeriut që po ai e ka caktuar. Dhe këtë e ka provuar duke e ngjallur atë prej të vdekurve». Kur dëgjuan për ngjalljen e të vdekurve, disa filluan të talleshin, ndërsa të tjerët thanë: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër». Atëherë Pali u largua prej tyre. Por disa nga ata shkuan pas tij dhe besuan në Perëndinë. Ndër këta ishin Dionis Areopagiti, një grua me emrin Damara, si edhe disa të tjerë. Pas këtyre gjërave, Pali u nis nga Athina e shkoi në Korint. Atje gjeti një jude me emrin Akuil, i lindur në Pont, që kishte ardhur kohët e fundit nga Italia me gruan e vet Priskilën, sepse perandori Klaud u kishte dhënë urdhër të gjithë judenjve të largoheshin nga Roma. Pali shkoi për t'i takuar dhe, meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, ndenji e punoi bashkë me ta. Mjeshtëria e tyre ishte bërja e tendave. Çdo të shtunë Pali fliste në sinagogë dhe përpiqej të bindte judenjtë e helenët. Kur erdhën Sila e Timoteu nga Maqedonia, Pali po predikonte fjalën e Perëndisë, duke u dëshmuar judenjve se Jezui është Krishti. Por ata e kundërshtuan dhe e fyen. Atëherë Pali shkundi pluhurin e rrobave si shenjë kundër tyre e u tha: «Për humbjen tuaj jeni vetë fajtorë. Unë nuk kam faj dhe që tani e tutje do të shkoj t'u predikoj kombeve». Pali doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Tit Justi, një i kthyer në besimin jude, që e kishte shtëpinë afër sinagogës. Krispi, kreu i sinagogës, besoi në Zotin bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Edhe shumë korintas që e dëgjuan Palin, besuan dhe u pagëzuan. Një natë Zoti i tha Palit në vegim: «Mos ki frikë, por fol e mos hesht, se unë jam me ty dhe askush nuk do të ngrejë dorë kundër teje për të të bërë keq. Shumë nga ata që jetojnë në këtë qytet më përkasin mua». Pali ndenji aty një vit e gjashtë muaj dhe u mësonte atyre fjalën e Perëndisë. Në kohën kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, judenjtë u bashkuan kundër Palit, e çuan para gjykatësit dhe thanë: «Ky njeri po kërkon t'i bindë njerëzit ta adhurojnë Perëndinë në kundërshtim me ligjin». Sapo Pali deshi të fliste, Galioni u tha judenjve: «Po të bëhej fjalë për ndonjë krim apo faj të rëndë, o judenj, do të kisha arsye për ta pranuar ankesën tuaj. Por, meqë bëhet fjalë për diskutime lidhur me emra e me ligjin tuaj, shikojeni vetë këtë punë. Unë nuk dua të bëhem gjykatës për këto gjëra». Pastaj i largoi nga gjykata. Atëherë të gjithë ata e kapën Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës, ndërsa Galioni nuk donte t'ia dinte fare për këto gjëra. Pali, pasi ndenji për njëfarë kohe në atë vend, u përshëndet me vëllezërit dhe lundroi për në Siri, bashkë me Priskilën e Akuilin. Në Kenkrea ai preu flokët, sepse kishte bërë një betim. Kur arritën në Efes, i la ata aty, ndërsa vetë hyri në sinagogë e diskutoi me judenjtë. Ata i kërkuan që të rrinte më gjatë, por Pali nuk pranoi. Megjithatë, kur po ndahej prej tyre, u tha: « Në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju». Pastaj u largua nga Efesi me anije. Pasi arriti në Cezare, shkoi në Jerusalem, përshëndeti kishën dhe pastaj shkoi në Antioki. Ndenji aty për njëfarë kohe dhe u nis e shkoi nga një vend në tjetrin nëpër krahinën e Galatisë e të Frigjisë, duke u dhënë zemër të gjithë dishepujve. Në Efes kishte ardhur një jude me emrin Apol, i lindur në Aleksandri. Ai ishte gojëtar i mirë e i njihte mirë Shkrimet. Kishte mësuar për udhën e Zotit dhe me zell në shpirt predikonte dhe i mësonte njerëzit me përpikëri për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit. Ai filloi të fliste hapur në sinagogë, por kur Priskila dhe Akuili e dëgjuan, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë. Meqë dëshironte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër e u shkruan dishepujve që ta pranonin. Kur arriti atje, ai i ndihmoi me anë të hirit që i kishte dhënë Perëndia të gjithë ata që kishin besuar, sepse i kundërshtonte me forcë judenjtë e u provonte hapur, përmes Shkrimeve, se Jezui është Krishti. Ndërsa Apoli ishte në Korint, Pali kaloi nëpër krahinat malore dhe arriti në Efes. Atje gjeti disa dishepuj e u tha: «Kur besuat, a e morët Shpirtin e shenjtë?». Ata iu përgjigjën: «As që kemi dëgjuar se ka Shpirt të shenjtë». Dhe Pali u tha: «Me çfarë jeni pagëzuar, atëherë?». Ata i thanë: «Me pagëzimin e Gjonit». Pali u tha: «Gjoni pagëzoi ata që pendoheshin dhe u bëri thirrje njerëzve të besonin në atë që do të vinte pas tij, domethënë në Jezuin». Kur dëgjuan këtë gjë, ata u pagëzuan në emrin e Zotit Jezu. Atëherë Pali vendosi duart mbi ta dhe Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta. Ata filluan të flasin në gjuhë të tjera e të profetizonin. Ata ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra. Pali shkonte në sinagogë dhe për tre muaj foli hapur e përpiqej t'i bindte për mbretërinë e Perëndisë. Disa njerëz kokëfortë nuk u bindën dhe filluan të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para popullit. Atëherë Pali u largua prej aty, mori me vete dishepujt dhe foli çdo ditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran. Këtë gjë e bëri për dy vjet me radhë e kështu të gjithë banorët e Azisë, judenj e helenë, dëgjuan fjalën e Zotit. Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit. Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre. Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!». Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev, por shpirti i keq u përgjigj: «Unë i njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?». Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur. Kur të gjithë banorët e Efesit, judenjtë e helenët, e morën vesh këtë gjë, i zuri frika të gjithë dhe lavdëronin emrin e Zotit Jezu. Edhe shumë prej atyre që besuan, rrëfyen e treguan të këqijat që kishin bërë. Disa prej atyre që ishin marrë me magji, i sollën librat e tyre të magjisë dhe i dogjën para të gjithëve. Kur u llogarit vlera e atyre librave, doli se arrinte në pesëdhjetë mijë monedha argjendi. Kështu fjala e Zotit përhapej e forcohej gjithnjë e më shumë me fuqinë e tij. Si ndodhën këto gjëra, Pali vendosi të shkonte në Jerusalem duke kaluar nëpër Maqedoni e nëpër Akai. Ai tha: «Pasi të kem shkuar atje, duhet të shoh edhe Romën». Kështu dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun dhe Erastin, ndërsa vetë ndenji pak më gjatë në Azi. Në atë kohë ndodhi një rrëmujë e madhe për shkak të Udhës së Zotit Jezu. Në Efes, jetonte edhe një burrë me emrin Dhimitër. Ai ishte argjendar dhe punonte tempuj të vegjël argjendi të Artemisës, gjë që u sillte shumë punë zejtarëve. Ai i mblodhi zejtarët bashkë me punëtorët që kishin të njëjtën mjeshtëri e u tha: «Burra, ju e dini mirë se mirëqenia jonë varet nga kjo mjeshtëri. Tani, ju e shihni dhe e dëgjoni se ky Pali i ka bindur dhe ka bërë për vete një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por pothuaj në të gjithë Azinë, duke u thënë se perënditë e bëra me duart e njerëzve nuk janë perëndi. Prandaj ka rrezik jo vetëm t'i bjerë vlera punës sonë, por që edhe të mos çmohet më tempulli i perëndeshës së madhe Artemisë dhe asaj t'i humbë madhështia që e ka shtyrë tërë Azinë e botën ta adhurojnë». Kur e dëgjuan këtë gjë, zejtarët u zemëruan e bërtitën: «E madhe është Artemisa e efesianëve!». Rrëmuja u përhap në gjithë qytetin. Turma u bashkua e shkoi me vrap te teatri, duke tërhequr zvarrë Gajin e Aristarkun që ishin maqedonas e që udhëtonin me Palin. Pali donte të dilte para turmës, por dishepujt nuk e lanë. Edhe disa krerë të krahinës së Azisë, që ishin miq të tij, dërguan njerëz tek ai për t'i thënë që të mos shkonte te teatri për të dalë para turmës. Atëherë u bë rrëmujë e madhe ndër të mbledhurit. Disa bërtisnin e thoshin një gjë e të tjerë një gjë tjetër, ndërsa shumica nuk e dinte pse ishin mbledhur. Disa nga turma shtynë përpara njëfarë Aleksandri dhe judenjtë e nxitën të fliste. Aleksandri bëri shenjë me dorë për qetësi dhe u mundua të fliste para popullit në mbrojtje të judenjve, por kur e kuptuan se ishte jude, të gjithë së bashku bërtitën njëzëri për rreth dy orë: «E madhe është Artemisa e efesianëve!». Sekretari i qytetit, pasi e qetësoi turmën, tha: «Burra të Efesit, a ka njeri këtu që nuk e di se qyteti i efesianëve është mbrojtësi i tempullit të Artemisës së madhe dhe i shtatores së rënë nga lart? Kjo gjë nuk mund të mohohet, prandaj qetësohuni e mos bëni gjëra të nxituara. Keni sjellë këtu këta njerëz, që as kanë vjedhur tempullin e as kanë fyer perëndeshën tuaj. Nëse Dhimitri e zejtarët e tjerë, që janë me të, kanë ndonjë gjë kundër ndokujt, gjykatat janë të hapura dhe kanë prokonsuj. Atje le t'i ngrenë paditë kundër njëri-tjetrit. Nëse keni ndonjë çështje tjetër, ajo do të shqyrtohet sipas ligjit në mbledhjen e radhës. Pasi mbaroi rrëmuja, Pali mblodhi dishepujt, u dha zemër, u përshëndet me ta dhe u nis për në Maqedoni. Ai kaloi nëpër ato krahina, u dha zemër me shumë fjalë e pastaj shkoi në Greqi. Atje qëndroi tre muaj. Kur po bëhej gati për të shkuar në Siri, judenjtë i ngritën një kurth, prandaj vendosi të kthehej duke kaluar nga Maqedonia. Me të ishin Sopatri, biri i Pirros nga Berea, Aristarku e Sekundi nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu si edhe Tikiku e Trofimi nga Azia. Ata shkuan përpara dhe na pritën në Troadë, ndërsa ne, pas ditëve të festës së Bukëve të ndorme, lundruam nga Filipia dhe për pesë ditë i arritëm në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë. Të dielën, ndërsa ishim mbledhur për thyerjen e bukës, Pali po u fliste atyre dhe, meqë do të nisej të nesërmen, e zgjati fjalën deri në mesnatë. Dhoma e sipërme ku ishim mbledhur, ishte shumë e ndriçuar. Ndërsa Pali vazhdonte të fliste, një djalosh me emrin Eutik, ishte ulur në dritare, ku e zuri një gjumë i thellë. Ai ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur. Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë e tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur». Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis. Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë. Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë. Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë. Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen mbërritëm në Milet. Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve. Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin. Kur erdhën ata, Pali u tha: «Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi, duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve. Ju e dini se nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar e ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju. Unë u kam predikuar si judenjve, edhe helenëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu. Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje. Shpirti i shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet. Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë. Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më. Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet, sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju. Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet. E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë që nuk do ta kursejnë grigjën. Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t'ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t'i tërhequr dishepujt pas vetes. Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pareshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet. E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t'ju rrisë në besim e t'ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit. Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba. Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua. Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep, se ai që merr”». Pasi tha këto fjalë, ai ra në gjunjë bashkë me të gjithë ata dhe u lut. Të gjithë shpërthyen në lot. Ata e përqafuan Palin dhe e puthën, duke ndier dhimbje, sidomos për atë që kishte thënë se nuk do ta shihnin më. Pastaj e përcollën deri tek anija. Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë. Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm. Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir, sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty. Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem. Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi. Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit dhe ndenjëm një ditë me ta. Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai. Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin. Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab. Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i shenjtë: kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez e do t'ua dorëzojnë kombeve». Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem. Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu». Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!». Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem. Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason Qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai. Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës. Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes kombeve, me anë të shërbesës së tij. Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë e i thanë Palit: «Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin. Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes kombeve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat. Si t'ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur. Bëj, pra, këtë që të themi: këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim. Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin. Ndërsa besimtarëve të kthyer prej kombeve u kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria». Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin. Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën. Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit e kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë helenë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë». Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim Efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull. Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert. Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, kryemijësit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin. Ai mori menjëherë disa ushtarë e kryeqindësa dhe shkoi me nxitim drejt turmës. Kur pa turma kryemijësin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. Atëherë kryemijësi u afrua, e kapi Palin dhe urdhëroi ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë. Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë. Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin. Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!». Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha kryemijësit: «A më lejon të të them diçka?». Kryemijësi i tha: «Di greqisht? Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katër mijë vrasësve?». Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo t'i flas popullit». Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha: «Vëllezër dhe etër, dëgjoni mbrojtjen time!». Kur dëgjuan se po u fliste hebraisht, u bë qetësi edhe më e madhe. Atëherë ai tha: «Unë jam jude. Kam lindur në Tars të Kilikisë dhe jam rritur këtu në Jerusalem. Kam pasur si mësues Gamalielin dhe jam edukuar pikë për pikë sipas ligjit të etërve tanë, me zell për Perëndinë, sikurse jeni të gjithë ju sot. Unë i kam përndjekur deri për vdekje ata që i përkasin Udhës së Zotit Jezu. Kam lidhur burra e gra dhe i kam futur në burg. Për mua mund të dëshmojnë kryeprifti e tërë pleqësia. Ata më dhanë edhe letra për vëllezërit judenj në Damask, që më ngarkonin për t'i lidhur ata që ishin atje e për t'i sjellë në Jerusalem që të ndëshkoheshin». «Kur isha rrugës për në Damask, teksa po i afrohesha qytetit, rreth mesditës, shndriti nga qielli një dritë e fortë rreth meje. Unë rashë përtokë dhe dëgjova një zë që më tha: “Saul, Saul, përse më përndjek?”. Unë u përgjigja: “Kush je ti, o Zot?”. Ai më tha: “Unë jam Jezui i Nazaretit që ti po e përndjek”. Ata që ishin me mua e panë dritën, por nuk e dëgjuan zërin e atij që po më fliste. Unë pyeta: “Zot, ç'duhet të bëj?”. Zoti më tha: “Ngrihu e shko në Damask. Atje do të të thonë gjithçka që të është caktuar të bësh”. Meqë nuk mund të shihja për shkak të shkëlqimit të asaj drite, ata që ishin me mua më morën për dore e më çuan në Damask. Një burrë me emrin Hananiah, njeri i përkushtuar ndaj ligjit e për të cilin judenjtë që jetonin aty flisnin mirë, erdhi tek unë, qëndroi përbri meje e tha: “Vëlla Saul, shih përsëri”. Në atë çast m'u hapën sytë dhe e pashë. Atëherë ai tha: “Perëndia i etërve tanë të ka zgjedhur që të njohësh vullnetin e tij, që të shohësh të Drejtin e të dëgjosh zërin e tij. Ti do të jesh dëshmitar i tij para të gjithë njerëzve, dëshmitar i asaj që ke parë e ke dëgjuar. Dhe tani ç'pret? Ngrihu, pagëzohu e pastrohu nga mëkatet duke thirrur emrin e Zotit”». «Pasi u ktheva në Jerusalem, ndërsa po lutesha në tempull, pata një vegim dhe pashë Jezuin që më tha: “Nxito e largohu shpejt nga Jerusalemi, se ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua”. Dhe unë thashë: “Zot, ata e dinë se në çdo sinagogë unë kam futur në burg dhe kam rrahur ata që besuan në ty. Edhe kur u derdh gjaku i dëshmorit tënd Stefanit, unë isha aty, e miratova vrasjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që po e vrisnin”. Atëherë Zoti më tha: “Shko, se do të të dërgoj larg, te kombet”». Deri këtu turma e dëgjoi, por pastaj bërtitën me zë të lartë: «Zhdukeni nga dheu këtë njeri. Ai nuk e meriton të jetojë». Turma bërtiste, hidhte rrobat lart e ngrinte pluhur në ajër. Atëherë kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë e u tha ta marrin në pyetje duke e fshikulluar, që të gjenin arsyen pse judenjtë bërtisnin kështu kundër tij. Por, pasi e lidhën me rrobat e tij, Pali i tha kryeqindësit që rrinte pranë: «A ju lejohet të fshikulloni një qytetar romak pa i bërë gjyqin?». Kur e dëgjoi këtë, kryeqindësi shkoi te kryemijësi e i tha: «Kujdes çfarë po bën! Ky njeri është qytetar romak». Kryemijësi erdhi dhe e pyeti Palin: «Më thuaj, a je romak?». Pali i tha: «Po». Kryemijësi u përgjigj: «Mua më ka kushtuar shumë para që ta merrja qytetarinë romake». Pali i tha: «Ndërsa unë kam lindur i tillë». Ata që do ta merrnin në pyetje u larguan menjëherë prej tij. Edhe kryemijësit i hyri frika kur mori vesh se Pali ishte qytetar romak, sepse e kishte lidhur. Ai donte të dinte me saktësi arsyen se përse po e padisnin judenjtë Palin, prandaj të nesërmen e liroi dhe urdhëroi kryepriftërinjtë e mbarë sinedrin që të mblidheshin. Pastaj solli edhe Palin dhe e nxori para tyre. Pali vështroi nga sinedri e tha: «Vëllezër, deri më sot kam jetuar me ndërgjegje të pastër para Perëndisë». Atëherë kryeprifti Hananiah i urdhëroi ata që ishin pranë Palit ta godisnin Palin në gojë. Por Pali i tha: «Ty do të godasë Perëndia, o mur i zbardhur! Je ulur për të më gjykuar sipas ligjit dhe, duke shkelur këtë ligj, urdhëron të më godasin». Ata që ishin aty thanë: «Ti po shan kryepriftin e Perëndisë?». Por Pali u përgjigj: «Vëllezër, nuk e dija se ishte kryeprift, sepse është shkruar: mos fol keq për krerët e popullit tënd! ». Meqenëse Pali e dinte se disa ishin saducenj e të tjerët farisenj, tha me zë të lartë në sinedër: «Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Unë po gjykohem, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve». Sapo e tha këtë, farisenjtë e saducenjtë filluan të grinden mes tyre dhe sinedri u përça. Në të vërtetë saducenjtë thonë se nuk ka as ngjallje, as engjëj e as shpirtra të tjerë, ndërsa farisenjtë i pranojnë të gjitha këto. Atëherë u bë një zhurmë e madhe dhe disa shkrues nga ana e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë: «Nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri. Po sikur t'i ketë folur një shpirt apo një engjëll?». Meqenëse ata po grindeshin gjithnjë e më shumë, kryemijësi pati frikë se mos e copëtonin Palin. Prandaj i urdhëroi ushtarët të shkonin e t'ua rrëmbenin Palin nga duart dhe ta sillnin në fortesë. Një natë më pas Zoti iu shfaq Palit e i tha: «Ki guxim! Sikurse ke dëshmuar për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë». Në mëngjes judenjtë përgatitën një kurth dhe u betuan se nuk do të hanin e nuk do të pinin derisa ta vrisnin Palin. Ata që u bashkuan me këtë kurth ishin më shumë se dyzet veta. Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë e u thanë: «Ne jemi betuar me vendosmëri që të mos vëmë gjë në gojë derisa ta vrasim Palin. Prandaj, tani, ju dhe sinedri duhet të njoftoni komandantin e kohortës që ta sjellë te ju, duke u hequr sikur doni ta hetoni më me imtësi. Ndërsa ne jemi të gatshëm ta vrasim para se të arrijë këtu». Djali i motrës së Palit dëgjoi për këtë pritë. Ai shkoi te fortesa dhe e lajmëroi Palin. Pali thirri njërin nga kryeqindësat e i tha: «Dërgoje këtë djalosh te kryemijësi, se ka diçka për t'i thënë». Ai e mori, e çoi te kryemijësi e i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri e më kërkoi ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë». Kryemijësi e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?». Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht. Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd». Atëherë kryemijësi e nisi djaloshin e i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!». Atëherë ai thirri dy nga kryeqindësat e u tha: «Përgatituni për t'u nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë. Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks!». Pastaj shkroi këtë letër: «Klaud Lisia për madhërinë e tij qeveritarin Feliks: përshëndetje! Ky njeri është kapur nga judenjtë që donin ta vrisnin, por pasi mësova se është qytetar romak, e shpëtova nga duart e tyre me anë të ushtarëve. Unë doja të dija shkakun për të cilin e kishin paditur dhe prandaj e çova para sinedrit të tyre. Aty mora vesh se e kishin paditur për disa çështje lidhur me ligjin e tyre, por nuk kishte bërë asgjë që të meritonte vdekjen ose prangat. Kur më njoftuan se judenjtë i kishin ngritur një kurth, e dërgova menjëherë te ti dhe i urdhërova paditësit e tij që të flasin me ty për të ». Atëherë ushtarët e morën Palin dhe, sipas urdhrit, e çuan gjatë natës në Antipatridë. Të nesërmen i lanë kalorësit të shkonin me të, ndërsa ata vetë u kthyen në fortesë. Kalorësit arritën në Cezare, i dhanë letrën qeveritarit dhe i dorëzuan Palin. Qeveritari e lexoi letrën, e pyeti Palin se cilës provincë i përkiste dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia, i tha: «Do të të dëgjoj kur të vijnë ata që të kanë paditur». Pastaj urdhëroi ta mbanin nën mbikëqyrje në pretoriumin e Herodit. Pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Hananiah bashkë me disa pleq dhe me një gojëtar që quhej Tertul. Ata i shpjeguan qeveritarit çfarë kishin kundër Palit. Kur thirrën Palin, Tertuli filloi të parashtronte padinë kundër tij e tha: «I nderuar shkëlqesi Feliks, falë teje kemi gëzuar paqe për shumë kohë e falë përkujdesjes sate janë bërë ndryshime të mëdha për këtë popull. Ne ndiejmë mirënjohje të thellë për këtë gjë, gjithmonë e kudo. Por, pa dashur të të mërzit më shumë, të lutem të kesh mirësinë të na dëgjosh shkurtimisht. Ne kemi parë se ky njeri nxit trazira dhe i shtyn të gjithë judenjtë nëpër botë për kryengritje. Ai është kryetari i sektit të nazaretasve. Madje, ai u mundua të përdhoste edhe tempullin, por ne e kapëm. Me këtë padi u bashkuan edhe judenjtë e tjerë dhe thanë se gjërat qëndronin ashtu. Kur qeveritari i bëri me shenjë të fliste, Pali u përgjigj: «Meqenëse e di se ke vite që je gjykatës i këtij populli, kam besim te ti për të bërë mbrojtjen time. Ti mund ta vërtetosh se nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që kam shkuar në Jerusalem për të adhuruar në tempull. Këta nuk më kanë gjetur duke biseduar me ndokënd në tempull apo duke nxitur ndonjë turmë as nëpër sinagoga, as në qytet. Ata nuk mund ta vërtetojnë padinë ndaj meje. Por, po të dëshmoj se sipas Udhës së Zotit Jezu, të cilën ata e quajnë sekt, unë adhuroj Perëndinë e etërve tanë, duke besuar gjithçka që është shkruar në ligjin dhe në librat e profetëve. Unë kam shpresë në Perëndinë, atë shpresë që edhe ata vetë e pranojnë, se të drejtët dhe të padrejtët do të ngjallen. Prandaj përpiqem ta kem ndërgjegjen të panjollosur para Perëndisë e para të gjithë njerëzve. Tani, pas shumë vitesh, u ktheva në Jerusalem për t'i sjellë ndihma popullit tim e për t'i kushtuar flijime Perëndisë. Kur po kryeja ritin e pastrimit, judenjtë më gjetën në tempull dhe aty nuk kishte as turma e as trazirë. Aty gjendeshin disa judenj nga Azia dhe po të kishin ndonjë gjë kundër meje duhej të vinin ata te ti për të ngritur padi. Megjithatë, le ta thonë këta vetë çfarë faji kanë gjetur tek unë kur dola për t'u gjykuar para sinedrit, me përjashtim ndoshta të atyre fjalëve që thashë me zë të lartë para tyre: “Unë po gjykohem sot nga ju, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve”». Por Feliksi, që e njihte mirë Udhën e Zotit Jezu, u tha: «Do të vendos për çështjen tuaj kur të vijë Lisia, kryemijësi» dhe kështu e shtyu gjyqin. Pastaj e urdhëroi kryeqindësin ta ruante Palin, por t'i lejonte edhe njëfarë lirie e të mos pengonte asnjë nga miqtë e tij të kujdesej për nevojat që kishte. Pas disa ditësh, kur erdhi Feliksi me gruan e vet Drusilën, që ishte judease, thirri Palin dhe dëgjoi prej tij për besimin në Krishtin Jezu. Kur Pali foli për drejtësinë, vetëpërmbajtjen dhe gjykimin e ardhshëm, Feliksi u tremb e i tha: «Tani për tani mund të shkosh. Do të të thërras kur të kem kohë». Ndërkohë shpresonte se Pali do t'i jepte para, prandaj e thërriste shpesh e fliste me të. Si kaluan dy vjet, pas Feliksit erdhi Porc Festi dhe Feliksi, meqë donte t'u bënte një nder judenjve, e la Palin në burg. Tri ditë pasi kishte arritur në provincë, Festi shkoi nga Cezareja në Jerusalem. Aty kryepriftërinjtë dhe krerët e judenjve i paraqitën padinë kundër Palit. Ata iu lutën dhe i kërkuan si nder që ta dërgonte Palin në Jerusalem. Ndërkohë kishin përgatitur një pritë për ta vrarë rrugës. Festi u përgjigj se Pali ruhej në Cezare dhe se ai vetë do të shkonte së shpejti atje. Ai u tha: «Atëherë, krerët tuaj le të vijnë me mua dhe, nëse ai njeri ka bërë ndonjë faj, le të ngrenë padi kundër tij». Pasi ndenji mes tyre jo më shumë se tetë apo dhjetë ditë, Festi shkoi në Cezare. Të nesërmen u ul në fronin e gjykatësit dhe urdhëroi të sillnin Palin. Kur arriti Pali, atë e rrethuan judenjtë që kishin ardhur nga Jerusalemi dhe bënë shumë padi të rënda kundër tij, por që nuk mund t'i vërtetonin. Pali u mbrojt kështu: «Unë nuk kam bërë mëkat as kundër ligjit të judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit». Por Festi, meqë donte t'u bënte nder judenjve, e pyeti Palin: «A dëshiron të shkosh në Jerusalem dhe të gjykohesh atje para meje për këto padi?». Pali i tha: «Unë jam para gjykatës së Cezarit dhe këtu duhet të gjykohem. Judenjve nuk u kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti e di shumë mirë këtë. Nëse jam në faj e nëse kam bërë diçka që meriton vdekjen, jam gati të vdes. Por, nëse nuk qëndron asnjë nga gjërat për të cilat më kanë paditur, askush nuk mund të më dorëzojë tek ata. Unë kërkoj të gjykohem prej Cezarit». Atëherë Festi, pasi foli me këshillin e vet, iu përgjigj: «Kërkove të gjykohesh prej Cezarit, te Cezari do të shkosh». Pasi kaluan disa ditë, mbreti Agripa e Bernika arritën në Cezare për të përshëndetur Festin. Meqë ata po rrinin aty disa ditë, Festi i paraqiti mbretit rastin e Palit e i tha: «Këtu është një njeri që e ka lënë Feliksi në burg. Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve më paraqitën paditë kundër tij e më kërkuan ta dënoj. Unë u thashë se nuk është zakon i romakëve ta dënojnë dikë, nëse i padituri nuk takohet me paditësit ballë për ballë dhe nëse nuk i jepet mundësia të mbrohet kundër padisë. Ata që kishin ngritur padinë erdhën këtu bashkë me mua dhe unë, pa humbur kohë, u ula të nesërmen në fronin e gjykatësit dhe urdhërova të ma sillnin atë njeri. Paditësit dolën para meje, por nuk ngritën kundër tij asnjë padi nga ato që prisja unë. Të dyja palët kundërshtonin njëra-tjetrën në lidhje me disa çështje të fesë së tyre dhe me njëfarë Jezui që ka vdekur, por që Pali thotë se është gjallë. Meqë nuk dija si ta hetoja këtë çështje, e pyeta nëse dëshironte të shkonte në Jerusalem e të gjykohej atje për këto gjëra, por Pali kërkoi të mbahej i burgosur, derisa çështja t'i kalonte për gjykim lartmadhërisë së tij. Prandaj urdhërova ta ruanin derisa të mund ta dërgoj te Cezari». Agripa i tha Festit: «Dëshiroj ta dëgjoj edhe unë vetë këtë njeri». Festi i tha: «Nesër do ta dëgjosh». Të nesërmen Agripa e Bernika erdhën me shumë madhështi. Ata hynë në sallë me kryemijësit e me burrat e rëndësishëm të qytetit. Atëherë Festi dha urdhër të sillnin Palin. Festi tha: «O mbret Agripë dhe të gjithë ju që jeni këtu me ne, ky është njeriu për të cilin mbarë populli i Judesë më është drejtuar mua, edhe në Jerusalem, edhe këtu, me kërkesën që ky të mos jetojë më. Por unë nuk gjeta tek ai asnjë faj që të meritonte vdekjen dhe meqenëse ai kërkoi të gjykohej para lartmadhërisë së tij, vendosa ta dërgoj atje. Nuk kam asgjë të saktë që t'i shkruaj tim zoti për të. Prandaj e solla para të gjithëve jush, veçanërisht para teje, o mbret Agripë, që, pasi ta kemi marrë në pyetje, të kem ç't'i shkruaj. Sepse më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur pa shënuar edhe paditë që ngrihen kundër tij». Agripa i tha Palit: «Ke leje të flasësh për veten». Atëherë Pali ngriti dorën dhe u mbrojt kështu: «E quaj veten të lumtur që po mbrohem sot para teje, o mbret Agripë, për të gjitha paditë që judenjtë kanë ngritur kundër meje, sepse ti i njeh mirë të gjitha doket e mosmarrëveshjet e judenjve. Prandaj, të lutem, më dëgjo me durim. Të gjithë judenjtë e dinë sesi kam jetuar që kur kam qenë i ri. Kam jetuar që nga fillimi mes popullit tim, në Jerusalem. Ata më njohin që prej shumë kohësh dhe mund të dëshmojnë se unë i përkisja sektit më të rreptë të fesë sonë dhe se kam jetuar si farise. Ndërsa tani qëndroj këtu për t'u gjykuar për shkak se shpresoj në premtimin që Perëndia u ka dhënë etërve tanë, të cilin dymbëdhjetë fiset tona shpresojnë ta arrijnë, duke adhuruar Perëndinë ditë e natë me përkushtim. Për këtë shpresë, o mbret, më kanë paditur judenjtë. Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia të ngjallë të vdekurit? Edhe unë vetë kam menduar se duhej të bëja gjithçka që mundesha kundër emrit të Jezuit të Nazaretit dhe këtë gjë bëra në Jerusalem. Me pushtetin që mora nga kryepriftërinjtë kam çuar në burg shumë nga të shenjtët dhe kam dhënë miratimin tim kur i dënonin me vdekje. Shpeshherë, në të gjitha sinagogat, jam munduar që me anë të dhunës t'i detyroj të mohojnë besimin e tyre dhe zemërimi im kundër tyre ishte aq i madh, saqë i kam përndjekur edhe në qytetet e huaja». «Kështu, u nisa për në Damask me pushtetin e lejen e kryepriftërinjve. Gjatë rrugës, aty nga mesdita, o mbret, pashë një dritë nga qielli, që ishte më e shndritshme se dielli, që shndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua. Ramë të gjithë përdhe dhe unë dëgjova një zë që më tha në hebraisht: “Saul, Saul, përse më përndjek? Do të lëndohesh duke hedhur shkelma kundër hostenit”. Unë e pyeta: “Kush je ti, o Zot?”. Zoti m'u përgjigj: “Unë jam Jezui që ti po përndjek, por ngrihu e qëndro në këmbë. T'u shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj. Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet, te të cilat po të dërgoj, që t'u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve e do të kenë pjesë me të shenjtëruarit”». «Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor, por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar. Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin. Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t'i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin: se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t'u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve». Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt». Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta e të arsyeshme. Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi. O mbret Agripë, a u beson profetëve? Unë e di se ti u beson». Agripa i tha Palit: «Për pak edhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë». Pali u përgjigj: «Unë i lutem Perëndisë që herët a vonë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që po më dëgjojnë sot të bëhen si unë, përveç këtyre prangave!». Atëherë mbreti, qeveritari, Bernika dhe të gjithë ata që ishin ulur me ta u ngritën dhe kur po dilnin, i thoshin njëri-tjetrit: «Ky njeri nuk ka bërë asgjë, që të meritojë vdekjen apo burgimin». Agripa i tha Festit: «Po të mos kishte kërkuar të gjykohej prej Cezarit, ky njeri mund të ishte lënë i lirë». Kur u vendos të lundronim për në Itali, Palin dhe disa të burgosur të tjerë i çuan te një njeri me emrin Jul, kryeqindës i kohortës perandorake. Ne hipëm në një anije nga Adramiti, që do të kalonte nga portet përgjatë brigjeve të Azisë, dhe u nisëm. Me ne ishte edhe Aristarku, një maqedonas nga Selaniku. Të nesërmen mbërritëm në Sidon. Juli u soll me dashamirësi me Palin dhe e lejoi të shkonte te miqtë e vet, që ata të kujdeseshin për të. Prej aty u nisëm e lundruam përgjatë Qipros, se e kishim erën kundër. Pasi kaluam detin gjatë brigjeve të Kilikisë e të Pamfilisë, arritëm në Mirë të Likisë. Aty kryeqindësi gjeti një anije nga Aleksandria që lundronte për në Itali dhe na hipi në atë anije. Për disa ditë lundruam ngadalë dhe me vështirësi arritëm përballë Knidës. Meqë kishim erën kundër, lundruam poshtë Kretës, përbri Salmonit. Lundruam me shumë vështirësi përgjatë bregut dhe arritëm në një vend që quhej «Portet e Mira», pranë qytetit të Laseas. Kishte kaluar shumë kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse kishte kaluar edhe koha e agjërimit të vjeshtës. Atëherë Pali i këshilloi e u tha: «Burra, unë mendoj se lundrimi do të jetë i rrezikshëm e do të humbasim jo vetëm ngarkesën dhe anijen, por edhe jetët tona». Por kryeqindësi dëgjoi timonierin dhe të zotin e anijes dhe nuk u vuri vesh fjalëve të Palit. Meqë ai port nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica ishte e mendimit të largoheshin prej aty dhe mundësisht të arrinin në Fenikë, ku do të kalonin dimrin. Ky ishte një port i Kretës që shihte nga jugperëndimi dhe veriperëndimi. Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do t'ia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat e lundruan afër brigjeve të Kretës. Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon. Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç'të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej. Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda, me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit. Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta lëvizte era. Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën, ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes. Për shumë ditë nuk pamë as diell, as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi. Pasi nuk kishin ngrënë për shumë kohë, Pali u ngrit e tha: «Burra, duhej të më kishit dëgjuar dhe të mos ishim nisur nga Kreta. Kështu do ta kishim shmangur këtë rrezik e këtë dëm. Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet. Mbrëmë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas dhe të cilin adhuroj e më tha: “Mos ki frikë, o Pal! Ti duhet dalësh para Cezarit dhe prandaj Perëndia ua ka falur jetën të gjithëve atyre që po lundrojnë me ty”. Kështu, merrni zemër, se unë kam besim në Perëndinë se do të bëhet ashtu siç më tha engjëlli. Ne do të përfundojmë në një ishull». Ishte nata e katërmbëdhjetë dhe, ndërsa po lundronim në detin Mesdhe, rreth mesnatës detarët menduan se po i afroheshin tokës. Atëherë lëshuan matësin e thellësisë dhe panë se thellësia ishte rreth tridhjetë e shtatë metra. Pak më vonë e matën përsëri thellësinë dhe ajo ishte njëzet e tetë metra. Nga frika se mos përplaseshim me ndonjë shkëmb, hodhën katër spiranca nga kiçi dhe uronin që të zbardhte sa më shpejt. Detarët donin ta braktisnin anijen dhe kishin ulur varkën e shpëtimit në det, gjoja për të vënë spirancat në bash. Pali i tha kryeqindësit dhe ushtarëve: «Nëse këta njerëz nuk qëndrojnë në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni». Atëherë ushtarët i prenë litarët e varkës së shpëtimit dhe e lanë të binte në det. Ndërsa prisnin që të zbardhte, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka e u tha: «Sot është dita e katërmbëdhjetë që prisni të uritur e pa ngrënë asgjë. Prandaj po ju këshilloj të hani diçka nëse doni të jetoni. Askush nga ju nuk do të humbë as edhe një fije floku». Pasi tha këto, mori bukën, falënderoi Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe filloi të hante. Atëherë të gjithë morën zemër e hëngrën. Të gjithë bashkë bëheshim dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta. Pasi u ngopën, e hodhën drithin në det dhe e lehtësuan anijen. Kur zbardhi, panë tokë, por nuk e dinin ku ishin. Atëherë vunë re një gji me një breg ranor dhe aty donin ta nxirrnin anijen, po të mundnin. Kështu shkëputën spirancat nga anija dhe i lanë të binin në det. Në të njëjtën kohë liruan litarët e timonëve. Pastaj ngritën velin ballor që ta kapte era dhe u drejtuan drejt bregut. Por hasën në një cekëtinë dhe anija ngeci në rërë. Bashi u ngul në rërë, ndërsa kiçi po copëtohej nga forca e dallgëve. Ushtarët menduan t'i vrisnin të burgosurit, që asnjeri nga ata të mos ikte me not, por kryeqindësi, që donte të shpëtonte Palin, i ndaloi ta bënin këtë. Ata që mund të notonin, i urdhëroi të hidheshin nga anija e të shkonin drejt tokës, ndërsa të tjerët të kapeshin pas ndonjë dërrase apo ndonjë cope të mbetur nga anija. Kështu të gjithë arritën shëndoshë e mirë në breg. Pasi shpëtuam, morëm vesh se ishulli quhej Maltë. Vendasit treguan një dashamirësi të pazakontë ndaj nesh. Ata ndezën një zjarr e na mblodhën të gjithëve rreth tij, sepse kishte filluar të binte shi e bënte ftohtë. Pali kishte mbledhur një krah dru dhe po i vinte në zjarr kur iu lidh rreth dorës një nepërkë që doli për shkak të të nxehtit. Kur e panë vendasit gjarprin që varej në dorën e tij, i thanë njëri-tjetrit: «Ky njeri duhet të jetë vrasës. Edhe pse i shpëtoi detit, drejtësia hyjnore nuk e lejoi të jetojë». Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk pësoi asgjë të keqe. Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi. Afër atij vendi gjendeshin tokat e të parit të ishullit me emrin Publi. Ai na priti e na strehoi miqësisht për tri ditë. I ati i Publit ishte i sëmurë në shtrat me ethe e lëbarke. Pali iu afrua atij, u lut, shtriu duart mbi të dhe e shëroi. Pasi ndodhi kjo gjë, edhe të sëmurët e tjerë të ishullit erdhën te Pali dhe u shëruan. Ata na nderuan shumë dhe, kur po niseshim, na dhanë me vete gjithçka që na nevojitej. Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë që e kishte kaluar dimrin në ishull dhe që mbante emblemën e Dioskurëve. U ndalëm në Sirakuzë e ndenjëm aty tri ditë. Pastaj lundruam përgjatë bregut e mbërritëm në Regjio. Pas një dite filloi të frynte juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuol. Aty gjetëm disa vëllezër, të cilët na u lutën të rrinim me ta shtatë ditë. Pastaj shkuam në Romë. Vëllezërit që ishin atje, kur dëgjuan për ne, erdhën që nga Forumi i Apit e nga Tri Tavernat për të na takuar. Kur i pa, Pali falënderoi Perëndinë e mori zemër. Pasi mbërritën në Romë, Palin e lejuan të jetonte vetëm dhe i vunë një ushtar për ta ruajtur. Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e judenjve dhe kur u mblodhën, u tha: «Vëllezër, edhe pse nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo traditave të etërve tanë, më kapën në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve. Pasi më morën në pyetje, romakët deshën të më lironin, sepse nuk gjetën asnjë faj që të më dënonin me vdekje. Por judenjtë kundërshtuan dhe unë u detyrova të kërkoj të gjykohem prej Cezarit. Këtë nuk e bëra për të ngritur ndonjë padi kundër popullit tim. Prandaj edhe kam kërkuar t'ju takoj e të flas me ju, sepse unë jam nën këto pranga për shkak të atij tek i cili shpreson edhe Izraeli». Ata i thanë: «Nuk kemi marrë asnjë letër nga Judeja për ty dhe asnjë nga vëllezërit judenj që kanë ardhur këtu, nuk na ka treguar gjë e as ka folur keq për ty. Megjithatë, ne duam të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse e dimë se kudo flitet kundër këtij sekti». Ata caktuan një ditë për ta takuar dhe shumë veta shkuan atje ku banonte ai. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ai u shtjellonte dhe u predikonte për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej t'i bindte për Jezuin, duke filluar që nga ligji i Moisiut e deri te librat e profetëve. Disa u bindën prej gjërave që tha, ndërsa të tjerët nuk besuan. Kështu ata nuk ranë në një mendje me njëri-tjetrin dhe kur po largoheshin, Pali u tha: «Mirë u foli Shpirti i shenjtë etërve tuaj me anë të profetit Isai, kur tha: shko te ky popull e thuaji: kanë veshë për të dëgjuar, por nuk kuptojnë, kanë sy për të parë, por nuk shikojnë. Zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme e u janë rënduar veshët. I kanë mbyllur sytë që të mos shohin me sy, të mos dëgjojnë me veshë, të mos kuptojnë me zemër, që të mos kthehen tek unë për t'i shëruar. Pali qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira, ku edhe priste të gjithë ata që shkonin tek ai. Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte të vërtetën e Zotit Jezu Krisht gjithë guxim e pa ngurruar. Unë, Pali, jam shërbëtor i Krishtit Jezu dhe Perëndia më ka thirrur për të qenë apostull e më ka ndarë veç për të predikuar ungjillin e Perëndisë. Ky ungjill, që Perëndia e premtoi që më parë përmes profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, flet për Birin e tij, Zotin tonë Jezu Krisht. Për nga mishi, ai është pasardhës i Davidit, ndërsa me fuqinë e Shpirtit që shenjtëron, ai u dëftua Bir i Perëndisë kur u ngjall prej të vdekurve. Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij. Ndër këto kombe bëni pjesë edhe ju, sepse u thirrët nga Jezu Krishti. Po ju shkruaj të gjithëve ju në Romë që Perëndia ju do e ju ka thirrur për të qenë të shenjtë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! Së pari, e falënderoj Perëndinë tim përmes Jezu Krishtit për ju të gjithë, sepse besimi juaj po bëhet i njohur në tërë botën. Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë shpirt në predikimin e ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im se ju kujtoj pa pushim në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund. Kam shumë dëshirë t'ju shoh për t'ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore, që të forcoheni dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim. Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndër mend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani. Unë u detyrohem edhe helenëve, edhe barbarëve, edhe të diturve, edhe të paditurve. Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t'jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë. Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për helenin. Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë, sikurse është shkruar: i drejti do të jetojë prej besimit. Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër çdo mosbesimi e padrejtësie të njerëzve që me padrejtësi i zënë frymën së vërtetës. Perëndia është i zemëruar me ta për shkak se gjithçka që mund të njihet për të është e dukshme, sepse vetë Perëndia ua ka bërë të dukshme atyre. Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim. Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua. Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat e me rrëshqanorët. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshet e ndyra të zemrave të tyre, që të çnderojnë trupat e njëri-tjetrit. Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të krijuesit që është i bekuar përjetë. Amen! Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës. Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre. Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë. Ata janë plot me padrejtësi, keqdashje, lakmi, ligësi, plot smirë, vrasje, grindje, dredhi dhe poshtërsi. Ata janë përgojues, shpifës, armiq të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të pamend, të pabesë, pa dashuri e të pamëshirshëm. Ata e njohin urdhërimin e Perëndisë që thotë se kush bën gjëra të tilla, meriton të vdesë. Megjithatë, ata jo vetëm i bëjnë këto, por edhe miratojnë të tjerët që i bëjnë. Ti, o njeri, që gjykon të tjerët, kushdo qofsh, nuk ke asnjë shfajësim. Duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon, bën të njëjtat gjëra. Ne e dimë se gjykimi i Perëndisë për ata që bëjnë këto gjëra është sipas së vërtetës. A mendon se do t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të njëjtat gjëra që i bën edhe ti? Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim? Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë. Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta. Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t'u japë jetën e amshuar, ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi e tërbimi i Perëndisë. Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për helenin. Por për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për helenin. Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm. Të gjithë ata që kanë mëkatuar pa e njohur ligjin, nuk do të ndëshkohen sipas këtij ligji, ndërsa të gjithë ata që kanë mëkatuar duke e njohur ligjin, do të gjykohen sipas tij. Të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë atë. Kur kombet që nuk e kanë ligjin, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ligji, megjithëse nuk e kanë ligjin, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre. Me këtë ata tregojnë se urdhërimet e ligjit janë të shkruara në zemrat e tyre, gjë për të cilën dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, edhe mendimet e tyre të brendshme, që herë i akuzojnë për faj e herë i shfajësojnë. Kjo do të dalë në dritë ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve përmes Krishtit Jezu, siç e pohon ungjilli që predikoj unë. Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh te ligji e mburresh me Perëndinë, e njeh vullnetin e tij dhe ligji të ka mësuar të dallosh të mirën. Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve e dritë për ata që janë në errësirë, edukator i të panxënëve e mësues i të miturve në besim, sepse në ligj ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën. Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj? Ti që mburresh me ligjin, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj? Sepse, siç është shkruar: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombe. Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin, por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlen. Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit, a nuk do t'ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje? Ai që është i parrethprerë, por e zbaton ligjin, do të të gjykojë ty, që, megjithëse je i rrethprerë dhe e ke të shkruar ligjin, je shkelës i këtij ligji. Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore, por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet në Shpirt e jo në shkronjë. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia. Pra, cila është epërsia e judeut? Apo çfarë dobie ka rrethprerja? Ajo ka shumë dobi nga çdo pikëpamje. Së pari, sepse judenjve iu besuan fjalët e Perëndisë. E çfarë, pra? Nëse disa prej tyre nuk i qëndruan besnik Perëndisë, mos vallë mosbesimi i tyre do të shfuqizonte besnikërinë e tij? Larg qoftë! Perëndia është i vërtetë në çdo gjë, megjithëse të gjithë njerëzit janë gënjeshtarë! Sikurse është shkruar: që ti të dalësh i drejtë në fjalët e tua e të triumfosh kur të gjykohesh. Por, nëse padrejtësia jonë nxjerr në pah drejtësinë e Perëndisë, çfarë të themi atëherë? Po të arsyetoja si njeri, do të shtroja pyetjen: mos vallë është i padrejtë Perëndia kur na ndëshkon? Larg qoftë! Përndryshe, si do ta gjykojë Perëndia botën? Nëse gënjeshtra ime nxjerr më në pah të vërtetën e Perëndisë dhe i jep më shumë lavdi atij, përse u dashka të gjykohem ende si mëkatar? Atëherë, përse të mos themi: «Le të bëjmë të keqen, që të vijë e mira!», siç na përflasin disa e na akuzojnë se paskemi thënë? Këta e meritojnë ndëshkimin. Çfarë pra? A kemi epërsi ne judenjtë? Aspak! Sepse sapo e treguam se të gjithë, si judenjtë, edhe helenët, janë nën mëkat, sikurse është shkruar: asnjeri nuk është i drejtë, as edhe një. Nuk gjendet asnjë që kupton. Nuk gjendet asnjë që kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha dhe janë rrënuar. Asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një i vetëm. Gryka e tyre është varr i hapur. Me gjuhë kanë mashtruar. Nën buzë kanë helm nepërkash. Gojën e kanë plot mallkime e hidhësi. Këmbët e tyre vrapojnë për të derdhur gjak. Në udhët e tyre ka rrënim e mjerim. Udhën e paqes nuk e kanë njour, frikën e Perëndisë nuk e kanë parasysh. Ne e dimë se çfarëdo që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën këtë ligj, kështu që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të gjykohet prej Perëndisë. Asnjeri nuk do të bëhet i drejtë para Perëndisë nga veprat që urdhëron ligji, sepse nëpërmjet këtij ligji vjen vetëm njohja e mëkatit. Por tani na është shfaqur se Perëndia na bën të drejtë pa ndërmjetësinë e ligjit, gjë që e kanë dëshmuar ligji e profetët. Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të. Perëndia nuk bën dallim mes judenjve dhe helenëve, sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë. Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati. Perëndia e kushtoi Jezuin si fli pajtimi, që përmes besimit në gjakun e tij të tregojë drejtësinë e tij për faljen e mëkateve të kryera më parë. Në atë kohë Perëndia ishte i duruar me mëkatin, ndërsa në kohën e tanishme ai dëfton sesi i bën të drejtë njerëzit, duke dashur të tregojë se është vetë i drejtë dhe se bën të drejtë ata që besojnë në Jezuin. Ku shkoi mburrja? Ajo mori fund. Prej cilit ligj? Atij të veprave? Jo prej tij, por nëpërmjet ligjit të besimit. Ne, pra, mendojmë se njeriu bëhet i drejtë prej besimit, pa veprat që urdhëron ligji. A është vallë Perëndia, Perëndi i judenjve? A nuk është ai edhe Perëndia i kombeve të tjera? Po, ai është edhe Perëndi i kombeve të tjera, sepse ka vetëm një Perëndi. Ai do të bëjë të drejtë të rrethprerët prej besimit dhe të parrethprerët nëpërmjet besimit. Mos vallë nëpërmjet besimit shfuqizojmë ligjin? Larg qoftë! Përkundrazi, e vëmë ligjin në vendin e vet. Ç'të themi, pra, për Abrahamin, stërgjyshin tonë? Çfarë fitoi ai si njeri? Nëse Abrahami do të ishte bërë i drejtë falë veprave, atëherë ai do të kishte pse të mburrej, por jo para Perëndisë. Çfarë thotë Shkrimi? Abrahami i besoi Perëndisë dhe falë besimit Perëndia e bëri të drejtë. Shpërblimi që i jepet punëtorit nuk është dhuratë, por është detyrim. Ndërsa ai që nuk ka vepra, por i beson Perëndisë që bën të drejtë mëkatarin, për shkak të besimit, bëhet i drejtë. Po ashtu edhe Davidi e quan të lum njeriun që Perëndia e bën të drejtë pa vepra: lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë e u janë fshirë mëkatet! Lum njeriu, të cilit Zoti nuk do t'ia llogarisë mëkatin! A vlen kjo lumni vetëm për të rrethprerët apo edhe për të parrethprerët? Ne sapo thamë: falë besimit Perëndia e bëri të drejtë Abrahamin. Po kur e bëri të drejtë? Kur ishte i rrethprerë apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. Abrahami e mori shenjën e rrethprerjes si vulë që tregonte se ishte bërë i drejtë përmes besimit kur ishte ende i parrethprerë. Kështu, ai u bë ati i të gjithë atyre që besojnë në Perëndinë pa u rrethprerë, në mënyrë që Perëndia t'i bëjë të drejtë për shkak të besimit. Ai u bë edhe ati i atyre të rrethprerëve që nuk janë vetëm të rrethprerë, por që edhe ecin në gjurmët e besimit që kishte ati ynë, Abrahami, para se të rrethpritej. Perëndia i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij se Abrahami do të trashëgonte botën jo përmes bindjes ndaj ligjit, por përmes besimit që e bëri atë të drejtë. Nëse ata që i binden ligjit do të bëheshin trashëgimtarë të premtimit, atëherë besimi do të ishte i kotë dhe premtimi nuk do të kishte më vlerë. Sepse ligji sjell zemërimin e Perëndisë, por ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje të ligjit. Prandaj, premtimi përmbushet prej besimit, që të jetë nga hiri i Perëndisë dhe të jetë i sigurt për të gjithë pasardhësit e Abrahamit, jo vetëm për ata që e zbatojnë ligjin, por edhe për ata që besojnë si Abrahami. Ai është ati i ne të gjithëve, sikurse është shkruar: të kam bërë atë të shumë kombeve. Ai është ati ynë para Perëndisë të cilit i besoi, Perëndisë që u jep jetë të vdekurve dhe që me anë të fjalës së tij krijoi gjithçka që nuk kishte qenë më parë. Kundër çdo shprese, Abrahami besoi me shpresë se do të bëhej atë i shumë kombeve, sipas asaj që ishte thënë: kështu do të jenë pasardhësit e tu. Abrahamit nuk iu dobësua besimi edhe kur ishte rreth njëqind vjeç dhe kuptoi se trupi i tij dhe i Sarës ishin pothuaj të vdekur e nuk mund të lindnin fëmijë. Ai nuk e humbi besimin e nuk dyshoi në premtimin e Perëndisë, por u forcua prej besimit dhe i dha lavdi Perëndisë. Ai ishte plotësisht i bindur se Perëndia ishte në gjendje të bënte gjithçka kishte premtuar. Prandaj, falë besimit, Perëndia e bëri të drejtë. Fjalët «u bë i drejtë» nuk u shkruan vetëm për të, por edhe për ne. Të drejtë do të na bëjë edhe ne që i besojmë atij që e ngjalli Zotin tonë Jezu prej të vdekurve. Ai iu dorëzua vdekjes për shkak të paudhësive tona dhe u ngjall që ne të bëhemi të drejtë. Përderisa jemi bërë të drejtë prej besimit, kemi paqe me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht. Përmes tij kemi hyrë me besim në hirin e Perëndisë, hir në të cilin qëndrojmë e krenohemi me shpresën se do të marrim pjesë në lavdinë e Perëndisë. Jo vetëm kaq, por ne krenohemi edhe kur kalojmë vuajtje, sepse e dimë se vuajtja sjell durimin, durimi sjell qëndresën në sprova dhe sprovat sjellin shpresën. Shpresa nuk na turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të shenjtë që na u dha. Kur ishim ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e caktuar për ata që jetonin pa besim në Perëndinë. Në të vërtetë, vështirë se dikush do të jepte jetën për një njeri të drejtë. Ndoshta për një njeri të mirë dikush edhe do të guxonte të vdiste. Kur ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Me këtë Perëndia e tregoi dashurinë e tij për ne. Për më tepër, ne që tashmë jemi bërë të drejtë prej gjakut të Krishtit, do të shpëtojmë përmes tij edhe nga zemërimi i Perëndisë. Nëse u pajtuam me Perëndinë përmes vdekjes së Birit të tij kur ende ishim armiq me të, aq më tepër do të shpëtohemi prej jetës së Birit të tij tani që jemi pajtuar me të. Jo vetëm kaq, por ne edhe krenohemi me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht, nëpërmjet të cilit tashmë jemi pajtuar me të. Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu e nëpërmjet mëkatit hyri vdekja. Kështu vdekja depërtoi te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan. Në të vërtetë, mëkati ishte në botë edhe përpara se të jepej ligji, mirëpo mëkati nuk njihej si i tillë përderisa nuk kishte ligj. Megjithatë, që nga Adami deri te Moisiu, vdekja mbretëroi edhe mbi ata që nuk bënë të njëjtin mëkat si të Adamit, i cili shkeli urdhërimin e Perëndisë. Adami është gjedha e atij që do të vinte. Por dhurata e hirit të Perëndisë nuk mund të krahasohet me shkeljen e Adamit. Nëse prej shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën të gjithë, aq më shumë do të teprojnë për të gjithë hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e bërë nga një njeri i vetëm, Jezu Krishti. Dhurata e Perëndisë nuk është si e keqja që solli mëkati i një njeriu; sepse gjykimi që erdhi nga mëkati i një njeriu solli ndëshkim; ndërsa dhurata e hirit që na u dha pas shumë shkeljesh, na bëri të drejtë. Nëse vdekja mbretëroi përmes një njeriu të vetëm për shkak të shkeljes së tij, aq më tepër do të mbretërojnë në jetë ata që përmes një njeriu, Jezu Krishtit, marrin hirin e begatë dhe dhuratën e Perëndisë, që na bën të drejtë. Prandaj, sikurse përmes shkeljes së një njeriu të vetëm erdhi ndëshkimi për të gjithë njerëzit, ashtu edhe përmes veprës së drejtë të një njeriu Perëndia i bën të drejtë e u jep jetë të gjithë njerëzve. Sikurse përmes mosbindjes së një njeriu të vetëm të gjithë u bënë mëkatarë, ashtu edhe përmes bindjes së një njeriu të vetëm të gjithë do të bëhen të drejtë. Por kur erdhi ligji, u pa sesa të shumta ishin shkeljet. Mirëpo, aty ku mëkati ishte i shumtë, edhe më i shumtë ishte hiri i Perëndisë. Kështu, sikurse mëkati mbretëroi me anë të vdekjes, ashtu do të mbretërojë edhe hiri, duke na bërë të drejtë për të na çuar në jetën e amshuar përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë. Çfarë të themi, pra? A do të vazhdojmë të jetojmë në mëkat, që Perëndia të na japë më shumë hir? Larg qoftë! Ne kemi vdekur për sa i përket mëkatit. E si mund të jetojmë ende në të? Apo nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Krishtin Jezu, u pagëzuam në vdekjen e tij? Prandaj ne jemi varrosur me të përmes pagëzimit për t'u bashkuar me të në vdekjen e tij, në mënyrë që sikurse Krishti u ngjall prej të vdekurve përmes lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të mund të jetojmë një jetë të re. Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij. Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin, që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati. Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të. Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë. Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu. Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'ju bëjë t'u bindeni dëshirave të tij. Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie. Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin, por nën hirin e Perëndisë. Çfarë, pra? A të mëkatojmë meqë nuk jemi nën ligj, por nën hir? Larg qoftë! A nuk e dini se, duke u bërë skllevër të dikujt dhe duke iu bindur atij, ju bëheni skllevër të atij që i bindeni, qoftë të mëkatit që të çon në vdekje, qoftë të bindjes ndaj Perëndisë që të çon në një jetë të drejtë? Por i qofshim falë Perëndisë, sepse ju dikur ishit skllevër të mëkatit, ndërsa tani i jeni bindur me gjithë zemër gjedhes së mësimit që keni marrë. Ju u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të drejtësisë së Perëndisë. Po flas me shembuj njerëzorë, për shkak të dobësisë njerëzore që nuk kupton. Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të ndyrësisë e të paudhësisë, që të çojnë në paudhësi, kështu tani t'i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë së Perëndisë që të çon në një jetë të shenjtë. Kur ishit skllevër të mëkatit, ju ishit të lirë për sa i përket drejtësisë së Perëndisë. Çfarë fituat, pra, nga gjërat që bënit në atë kohë e për të cilat tani keni turp? Fundi i këtyre gjërave është vdekja. Por tani që jeni çliruar nga mëkati e jeni vënë në shërbim të Perëndisë, ju keni fituar udhëtimin drejt një jete të shenjtë, fundi i të cilit është jeta e amshuar. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë. O vëllezër, si njerëz që e njihni mirë ligjin, a nuk e dini se ligji sundon mbi njeriun për sa kohë ai është gjallë? Kështu, sipas ligjit gruaja e martuar është e lidhur me burrin për sa kohë ai është gjallë, por nëse burri vdes, ligji i jep asaj lirinë nga burri. Por, nëse ajo bëhet gruaja e një burri tjetër kur e ka burrin ende gjallë, ajo do të quhet grua që ka bërë tradhti bashkëshortore. Nëse burri i saj vdes, ajo është e lirë nga ligji dhe po të martohet me një burrë tjetër, ajo nuk bën tradhti bashkëshortore. Në të njëjtën mënyrë, o vëllezërit e mi, edhe ju keni vdekur për sa i përket ligjit, meqenëse jeni bashkuar me trupin e Krishtit. Kështu, ju i përkisni një tjetri, atij që është ngjallur prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryte për Perëndinë. Kur ne jetonim sipas dobësisë njerëzore, dëshirat mëkatare, të nxitura përmes ligjit, vepronin në gjymtyrët tona dhe ne jepnim fryte që të çojnë në vdekje. Por tani jemi të lirë për sa i përket ligjit, sepse kemi vdekur ndaj atij që na mbante lidhur. Kështu, i shërbejmë Perëndisë në risinë e Shpirtit dhe jo sipas mënyrës së vjetër të shkronjës. Ç'të themi, pra? A është ligji mëkat? Larg qoftë! Mirëpo nëse nuk do të ishte ligji, unë nuk do ta kisha njohur mëkatin. Unë nuk do ta kisha njohur lakminë nëse ligji nuk do të thoshte: mos lakmo! Por duke marrë shkas prej urdhërimit, mëkati bëri që të lindin brenda meje gjithfarë lakmish. Pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligjin, por kur u dha urdhërimi i këtij ligji, mëkati mori jetë dhe unë vdiqa. Kështu urdhërimi që duhej të më çonte në jetë më çoi drejt vdekjes. Sepse mëkati, duke marrë shkas prej urdhërimit, më mashtroi dhe përmes tij më vrau. Mirëpo ligji është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë e i mirë. Mos vallë e mira u bë shkak për vdekjen time? Larg qoftë! Vdekjen ma solli mëkati duke përdorur të mirën. Kështu, mëkati e tregoi qartë natyrën e tij të vërtetë dhe përmes urdhërimit u bë mëkat edhe më i rëndë. Ne e dimë se ligji është shpirtëror, ndërsa unë kam dobësinë e trupit dhe jam i shitur si skllav te mëkati. Nuk di çfarë bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. Nëse bëj atë që nuk dua, pranoj se ligji është i mirë. Tani nuk jam më unë që veproj kështu, por mëkati që banon brenda meje. Unë e di se e mira nuk banon brenda meje, domethënë në dobësinë time njerëzore. Unë dua të bëj të mirën, por nuk mundem. Sepse nuk bëj të mirën që dua, por bëj të keqen që nuk dua. Por nëse bëj atë që nuk dua, nuk veproj më unë, por mëkati që banon në mua. Kështu kam zbuluar parimin sipas të cilit sa herë që dua të bëj të mirën, brenda meje gjej vetëm aftësinë për të bërë të keqen. Në të vërtetë, thellë brenda meje unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë, por shoh në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën rob të ligjit të mëkatit, që gjendet në gjymtyrët e mia. Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që po më tërheq drejt vdekjes? I qofshim falë Perëndisë përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë. Kështu pra, me mendje i shërbej ligjit të Perëndisë, por me trup i shërbej ligjit të mëkatit. Prandaj, tanimë nuk ka asnjë dënim për ata që i përkasin Krishtit Jezu, sepse ligji i Shpirtit që jep jetë përmes Krishtit Jezu, ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Atë që nuk mund ta bënte ligji për shkak të dobësisë njerëzore, e bëri Perëndia duke dërguar Birin e vet në përngjasim me dobësinë njerëzore mëkatare. Për sa i takon mëkatit, ai e ndëshkoi mëkatin në dobësinë njerëzore, në mënyrë që kërkesat e drejta të ligjit të përmbushen në ne që nuk jetojmë sipas dobësisë njerëzore, por sipas Shpirtit. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e dobësisë njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit. Mendja te gjërat e dobësisë njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të çon në jetë dhe paqe. Prandaj mendja te gjërat e dobësisë njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë. Ju nuk jetoni sipas dobësisë njerëzore, por jetoni në Shpirt, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit. Nëse Krishti është në ju, trupi juaj do të vdesë për shkak të mëkatit, por Shpirti ju jep jetë, për shkak se Perëndia ju ka bërë të drejtë. Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju. Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt dobësisë njerëzore për të jetuar sipas saj. Nëse jetoni sipas dobësisë njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit do t'i shkatërroni për vdekje veprat e dobësisë njerëzore, ju do të jetoni. Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë. Sepse Shpirti që keni marrë, nuk është një shpirt që ju bën skllevër për të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin që ju ka birësuar, nëpërmjet të cilit thërrasim: Abba, o Atë! Ky Shpirt dëshmon me shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë. Nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë si dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, sepse, nëse vuajmë bashkë me të, edhe do të përlëvdohemi bashkë me të. Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen. Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij. Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes; dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë. Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh? Por nëse e shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim. Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi. Ç'të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. Kush është ai që do t'i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne. Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata? Sikurse është shkruar: për ty po na vrasin tërë ditën e na trajtojnë si dele për t'u therur. Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë që u tregua në Krishtin Jezu, Zotit tonë. Po ju them të vërtetën dhe kam Krishtin si dëshmitar se nuk gënjej. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja ime e udhëhequr nga Shpirti i shenjtë, se kam një pikëllim të madh dhe një dhimbje të pareshtur në zemër. Do të doja të isha unë i mallkuar nga Perëndia dhe i ndarë nga Krishti për hir të vëllezërve të mi sipas mishit. Ata janë izraelitë e të birësuar nga Perëndia. Atyre u janë dhënë lavdia e Perëndisë, besëlidhjet, ligji i Moisiut, shërbesa e adhurimit të Perëndisë dhe premtimet e tij. Ata janë pasardhësit e patriarkëve dhe prej tyre, për nga mishi, rrjedh edhe Krishti, që është mbi të gjithë, Perëndi i bekuar në amshim. Amen! Fjala e Perëndisë nuk ka dështuar, sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë. As ata që rrjedhin nga fara e Abrahamit nuk janë të gjithë bijtë e tij, por pasardhësit e tu do të rrjedhin nga fara e Isakut. Kjo do të thotë se nuk janë bijtë për nga mishi ata që janë bij të Perëndisë, por janë bijtë e premtimit ata që njihen si pasardhës. Sepse kjo është fjala e premtimit: në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë. Jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga po ky burrë, nga Isaku, ati ynë. Binjakët nuk kishin lindur ende dhe nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe kur Perëndia, për të treguar se qëllimi i tij mbështetet vetëm në zgjedhjen e tij, jo te veprat e njeriut, por tek ai që e thërret, i tha Rebekës: më i madhi do t'i shërbejë më të voglit. Sikurse është shkruar: Jakobin e desha, por Esaun e urreva. Ç'të themi pra? A është Perëndia i padrejtë? Larg qoftë! Sepse ai i thotë Moisiut: do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri. Pra, nuk varet as nga vullneti e as nga përpjekjet e njeriut, por nga Perëndia që ka mëshirë. Sepse Shkrimi i thotë faraonit: pikërisht për këtë gjë të kam lartësuar, që të shfaq fuqinë time në ty e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. Kështu pra, Perëndia ka mëshirë për atë që do dhe bën kokëfortë atë që do. Por ti do të më thuash: «Pse atëherë Perëndia ende na fajëson? Kush mund t'i bëjë ballë vullnetit të tij?». Po kush je ti, o njeri, që t'i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë krijesa krijuesit: «Përse më ke bërë kështu?». A nuk ka të drejtë poçari të bëjë nga e njëjta masë argjile një enë të kushtueshme dhe një tjetër të zakonshme? Megjithëse Perëndia donte të shfaqte zemërimin e tij dhe të bënte të njohur pushtetin e tij, ai u tregua shumë i duruar me enët që e meritonin zemërimin e tij dhe që ishin bërë për t'u shkatërruar. Ai donte edhe t'u bënte të njohur pasuritë e lavdisë së tij atyre të cilëve u tregoi mëshirën e tij dhe që i parapërgatiti për lavdi. Këta jemi ne që na thirri Perëndia, jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet. Sikurse thotë te Hosea: atë që nuk ishte populli im, do ta quaj populli im; atë që nuk ishte e dashur, do ta quaj të dashur. Dhe në vendin ku u qe thënë: «Ju nuk jeni populli im», atje ata do të quhen bij të Perëndisë së gjallë. Edhe Isaia thërret për Izraelin: sikur numri i bijve të Izraelit të jetë si rëra e detit, vetëm një pjesë e mbetur prej tyre do të shpëtohet. Sepse Zoti do ta përmbushë fjalën e tij me shpejtësi mbi tokë. Dhe sikurse kishte parathënë Isaia: nëse Zoti i ushtrive nuk do të na linte pasardhës, do të ishim bërë si Sodoma e do të ngjanim me Gomorrën. Ç'të themi, pra? Kombet që nuk kërkonin të bëheshin të drejtë nga Perëndia, u bënë të drejtë përmes besimit, ndërsa Izraeli që kërkonte një ligj për t'u bërë i drejtë, nuk e përmbushi ligjin. Përse? Sepse donte të bëhej i drejtë jo përmes besimit, por përmes veprave. Kështu u penguan te guri i pengesës. Sikurse është shkruar: ja, po vë në Sion një gur pengese, një shkëmb që i rrëzon. Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet. O vëllezër, e dëshiroj me gjithë zemër shpëtimin e Izraelit dhe për këtë i lutem Perëndisë. Unë dëshmoj se ata kanë zell për Perëndinë, por zelli i tyre nuk mbështetet në njohurinë e vërtetë. Ata nuk donin të kuptonin se është vetëm Perëndia ai që i bën të drejtë njerëzit, por kërkuan të bëhen të drejtë me veprat e tyre. Kështu ata nuk iu nënshtruan Perëndisë që mund t'i bënte të drejtë. Krishti i jep fund ligjit me qëllim që të bëhet i drejtë kushdo që beson në të. Moisiu shkruan sesi njeriu mund të bëhet i drejtë përmes ligjit dhe thotë: njeriu që i zbaton urdhërimet e ligjit do të jetojë prej tyre. Ndërsa për atë që bëhet i drejtë përmes besimit, Moisiu thotë kështu: mos thuaj në zemrën tënde: «Kush do të ngjitet në qiell?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të zbriste poshtë. As mos thuaj: «Kush do të zbresë në humnerë?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të ngjallej prej të vdekurve. Por çfarë thotë, pra? Fjala është pranë teje, në gojën e në zemrën tënde. Kjo është fjala e besimit që ne predikojmë. Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh. Sepse njeriu beson me zemër dhe Perëndia e bën të drejtë, rrëfen me gojë dhe Perëndia e shpëton. Shkrimi thotë: kush beson në të, nuk do të turpërohet. Sepse nuk ka dallim ndërmjet judeut e helenit: Zoti është i njëjtë për të gjithë dhe është zemërgjerë me të gjithë ata që e thërrasin emrin e tij. Sepse: kush thërret emrin e Zotit, do të shpëtohet. Por, si do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si mund t'i besojnë atij për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë nëse nuk ka njeri t'u predikojë? Dhe si mund të predikojnë nëse nuk janë dërguar? Sikurse është shkruar: sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajme të mira! Por jo të gjithë iu bindën ungjillit. Isaia thotë: o Zot, kush i besoi lajmit tonë? Pra, besimi vjen nga dëgjimi dhe dëgjimi vjen përmes fjalës së Krishtit. Por unë pyes: Mos vallë nuk kanë dëgjuar ata? Patjetër që kanë dëgjuar: zëri i tyre u përhap në të gjithë tokën dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës. Përsëri pyes: Mos vallë nuk kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: unë do t'ju bëj të keni zili një komb që nuk është fare komb; do t'ju bëj të zemëroheni me një komb të pamend. Isaia pati guximin të thotë: ata që nuk më kërkonin, më gjetën; iu shfaqa atyre që nuk më kërkonin. Por për Izraelin ai thotë: gjithë ditën i shtriva dorën një populli të pabindur e kundërshtues. Prandaj pyes: mos vallë Perëndia e ka hedhur poshtë popullin e vet? Larg qoftë! Unë vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Benjaminit. Perëndia nuk e ka hedhur poshtë popullin e vet, të cilin e zgjodhi që më parë. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi për Elinë? Ai iu drejtua Perëndisë kundër Izraelit e i tha: «O Zot, ata vranë profetët e tu dhe rrënuan altarët e tu. Vetëm unë kam mbetur, ata kërkojnë jetën time». Por si u përgjigj Perëndia? « Kam ruajtur për vete shtatë mijë burra që nuk i kanë rënë në gjunjë Baalit ». Kështu, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një numër izraelitësh që Perëndia i ka zgjedhur me hirin e tij. Perëndia i zgjodhi ata me anë të hirit të tij dhe jo me anë të veprave të tyre, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir. E çfarë ndodhi? Izraeli nuk e mori atë që kërkoi, por e morën vetëm ata që zgjodhi Perëndia, ndërsa të tjerët u ngurtësuan, sikurse është shkruar: Perëndia u dha atyre një shpirt plogështie, sy për të mos parë e veshë për të mos dëgjuar deri në ditët e sotme. Dhe Davidi thotë: tryeza e tyre u bëftë kurth e lak, pengesë për rrëzimin e ndëshkimin e tyre! Sytë e tyre u errësofshin për të mos parë e kurrizi i tyre u kërrustë gjithmonë! Prandaj pyes: mos vallë izraelitët u penguan për t'u rrënuar? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve që ata të kishin zili. Nëse mangësia e tyre u bë pasuri për botën dhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më e madhe do të jetë plotësia e tyre! Tani po ju flas juve, kombeve, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve. Unë po e lavdëroj shërbesën time për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre. Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë? Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta. Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit. Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty. Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë». Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron, sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju. Nëse Perëndia nuk kurseu degët natyrore, ai nuk do të të kursejë as ty që u shartove. Shih sesi e tregon Perëndia mirësinë dhe ashpërsinë e tij: ai është i ashpër me ata që ranë, por është i mirë me ty, nëse do të qëndrosh në mirësinë e tij. Përndryshe do të pritesh edhe ti. Ndërsa ata, nëse nuk vazhdojnë në mosbesim, do të shartohen, sepse Perëndia ka fuqinë për t'i shartuar përsëri. Nëse ti je prerë prej një ulliri të egër nga natyra dhe përkundër natyrës u shartove në një ulli të butë, aq më tepër degët e ullirit të butë do të shartohen në trungun e vet! O vëllezër, që të mos mbaheni për të mençur, dua t'ju bëj të njohur këtë shestim të fshehtë të Perëndisë: një pjesë e Izraelit do të vazhdojë në kokëfortësinë e vet, derisa të gjitha kombet e tjera të hyjnë në shpëtimin e Perëndisë. Dhe kështu i gjithë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: çlirimtari do të vijë nga Sioni; dhe do ta zhdukë mosbesimin nga Jakobi. Kjo është besëlidhja ime me ta, kur t'i fshij mëkatet e tyre. Meqenëse ata e kundërshtuan ungjillin, u bënë armiq të Perëndisë dhe kjo për të mirën tuaj, ndërsa, duke u zgjedhur nga Perëndia, janë të dashur për shkak të etërve. Thirrja dhe dhuratat e Perëndisë janë të pakthyeshme. Ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, por tani keni marrë mëshirë për shkak të mosbindjes së tyre. Po ashtu edhe këta tani nuk i binden Perëndisë, që për shkak të mëshirës që u tregua për ju, të gjejnë edhe ata mëshirë. Perëndia i kyçi të gjithë në mosbindje, që të tregonte mëshirë për të gjithë. O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e njohjes së Perëndisë! Sa të padepërtueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij! Po kush e njohu mendjen e Zotit? Apo kush u bë këshilltar i tij? Kush i ka dhënë ndonjëherë ndonjë gjë Perëndisë, që të kërkojë shpërblim prej tij? Sepse prej tij, përmes tij e për të janë të gjitha gjërat. Atij i qoftë lavdia në amshim! Amen! Prandaj, o vëllezër, po ju bëj thirrje që për hir të dhembshurisë së Perëndisë ta paraqitni veten si fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme për Perëndinë. Ky është adhurimi i duhur. Mos u pajtoni me frymën e kësaj bote, por ndryshohuni duke përtërirë mendjen, që të dalloni se cili është vullneti i mirë, i pëlqyeshëm dhe i përsosur i Perëndisë. Përmes hirit që më është dhënë po i them çdonjërit prej jush të mos e mbajë veten më të madh se ç'duhet, por të mendojë ashtu siç duhet, secili sipas masës së besimit që i ka dhënë Perëndia. Sikurse një trup ka shumë gjymtyrë, por jo të gjitha gjymtyrët kanë të njëjtën detyrë, ashtu edhe ne, që jemi shumë, jemi një trup i vetëm të bashkuar me Krishtin, secili gjymtyrë e tjetrit. Ne kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na është dhënë. Kush ka dhuratën e profecisë, të profetizojë sipas masës së besimit; kush ka dhuntinë e shërbimit, të shërbejë; kush ka dhuntinë për të mësuar të tjerët, t'i mësojë; kush ka dhuntinë për të këshilluar, të këshillojë; kush ndan të mirat e tij me të tjerët, ta bëjë me thjeshtësi; kush drejton, ta bëjë me zell; kush bën vepra bamirësie, t'i bëjë me gëzim. Dashuria të jetë pa shtirje. Urreni të keqen, kapuni pas së mirës. Duajeni njëri-tjetrin si vëllezër. Nderojeni tjetrin më shumë se veten. Mos t'ju mungojë zelli, por me zjarr në shpirt t'i shërbeni Zotit. Ngazëlloni në shpresë, duroni në vuajtje, këmbëngulni në lutje. Jepni për nevojat e të shenjtëve, jini mikpritës. Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni e mos mallkoni. Gëzoni me ata që gëzojnë, vajtoni me ata që vajtojnë. Jini në një mendje me njëri-tjetrin; mos jini mendjemëdhenj, por përfillni të përulurit. Mos e mbani veten për të mençur. Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni të bëni të mirën në sytë e të gjithë njerëzve. Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit. Fort të dashur! Mos kërkoni shpagim, por lërini vend zemërimit të Perëndisë. Sepse është shkruar: shpagimi më përket mua dhe unë jam ai që do të marrë shpagim, thotë Zoti. Por, nëse armiku yt ka uri, jepi të hajë; nëse ka etje, jepi të pijë. Duke bërë kështu do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij. Mos u mposhtni nga e keqja, por mposhteni të keqen me të mirën. Çdo njeri t'u nënshtrohet pushteteve që ka mbi vete. Sepse nuk ka pushtet që nuk është nga Perëndia. Të gjitha pushtetet janë caktuar nga Perëndia. Pra, kush kundërshton pushtetin, i kundërvihet Perëndisë që e ka caktuar atë. Ata që e kundërshtojnë, i pret gjykimi. Nuk ka pse ta ketë frikë eprorin ai që bën të mirën, por ai që bën të keqen. A dëshiron të mos kesh frikë nga pushteti? Bëj të mirën dhe do të marrësh lavdërime prej tij. Sepse ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën. Por nëse ti bën të keqen, duhet të kesh frikë, se ai nuk e mban më kot shpatën. Ai është shërbëtor i Perëndisë dhe hakmerret e ndëshkon keqbërësit. Kështu duhet të nënshtroheni jo vetëm për shkak të ndëshkimit, por edhe për shkak të ndërgjegjes. Prandaj i paguani edhe taksat, sepse pushtetet që merren me këtë punë janë shërbëtorë të Perëndisë. Jepuni të gjithëve çfarë u takon: taksën atij që i takon taksa, taksën e doganës atij që i takon taksa e doganës, frikën atij që i takon t'i frikësoheni, nderimin atij që i takon nderimi. Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç detyrimit për të dashur njëri-tjetrin. Kush e do tjetrin, e ka përmbushur ligjin. Urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos lakmo, dhe urdhërimet e tjera përmblidhen në këtë fjalë: duaje të afërtin si veten. Kush e do të afërtin, nuk i bën keq. Prandaj dashuria është përmbushja e ligjit. Bëjeni këtë, sepse ju e dini se në ç'kohëra jetojmë. Tashmë ka ardhur ora për t'u zgjuar nga gjumi. Shpëtimi ynë është më afër tani sesa kur besuam. Nata kaloi e dita po afron. Prandaj të hedhim tej veprat e errësirës e të ngjeshim armët e dritës. Të jetojmë me ndershmëri si ditën, jo në shthurje e dehje, jo në kurvëri e fëlligështi, jo në grindje e smirë. Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos u përpiqni të kënaqni epshet e dobësisë njerëzore. Pranojeni atë që është i dobët në besim dhe mos e gjykoni për mendimet e tij. Dikush beson se mund të hajë çdo gjë, ndërsa një tjetër, që është i dobët, ha vetëm perime. Ai që ha çdo gjë, të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha çdo gjë, të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar edhe atë. Kush je ti që të gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Vetëm i zoti mund të gjykojë nëse shërbëtori i tij qëndron i fortë në detyrë ose jo. Por ai do të qëndrojë i fortë, sepse Zoti ka pushtetin ta bëjë këtë. Dikush e vlerëson një ditë më shumë se një ditë tjetër, ndërsa dikush tjetër i vlerëson të gjitha ditët njëlloj. Secili të jetë plotësisht i bindur për atë që bën. Ai që e vlerëson një ditë si të veçantë, e vlerëson për Zotin. Ai që ha nga çdo gjë, ha për Zotin, sepse falënderon Perëndinë. Po ashtu, edhe ai që nuk ha çdo gjë, nuk ha për Zotin dhe falënderon Perëndinë. Asnjëri nga ne nuk jeton për vete dhe nuk vdes për vete. Nëse jetojmë, jetojmë për Zotin dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin. Prandaj, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, ne i përkasim Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq e u ngjall, për të qenë Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve. Pse e gjykon vëllanë tënd? Pse e përbuz vëllanë tënd? Ne të gjithë do të qëndrojmë para gjyqit të Perëndisë. Është shkruar: pasha jetën time, thotë Zoti, çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të përlëvdojë Perëndinë. Kështu pra, çdonjëri prej nesh do të përgjigjet para Perëndisë për veten e vet. Prandaj të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por më mirë të kemi kujdes për të mos i vënë vëllait as lak, as pengesë. Unë e di dhe jam i bindur prej Zotit Jezu se asgjë nuk është e papastër vetvetiu. Por nëse dikush e vlerëson diçka si të papastër, atëherë ajo është e papastër për të. Nëse vëllai yt lëndohet për shkak të ushqimit tënd, atëherë ti nuk po sillesh më me dashuri ndaj tij. Për shkak të ushqimit mos e ço drejt humbjes vëllanë tënd, për të cilin vdiq Krishti. Mos bëni që të shahet çka është e mirë për ju. Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët e të pirët, por drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin e shenjtë. Kush i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Perëndisë dhe miratohet prej njerëzve. Prandaj, të kërkojmë gjërat që sjellin paqen dhe rritjen shpirtërore të të gjithëve. Mos e shkatërro veprën e Perëndisë për shkak të ushqimit. Të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, me ushqimin e tij, bëhet gur pengese për tjetrin. Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë e as të mos bësh ndonjë gjë tjetër që do të bëhej gur pengese për vëllanë tënd. Besimin që ke, mbaje për vete para Perëndisë. Lum ai që nuk e dënon ndërgjegjja për ushqimet që zgjedh të hajë. Por kush është me dy mendje për sa i përket ushqimit, e megjithatë ha, ai është i dënuar, se nuk vepron sipas asaj që beson. Gjithçka që nuk vjen prej besimit, është mëkat. Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe të mos bëjmë ç'na pëlqen neve. Secili prej nesh të bëjë çfarë i pëlqen të afërtit, për të mirën e tij, që ai të këndellet në besim. Sepse edhe Krishti nuk bëri çfarë i pëlqente atij, por siç është shkruar: sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua. Gjithçka që u shkrua më parë, u shkrua për mësimin tonë, që nëpërmjet durimit e ngushëllimit, që na japin Shkrimet, të kemi shpresë. Perëndia i durimit e i ngushëllimit dhëntë që ju të jeni në një mendje me njëri-tjetrin sipas Krishtit Jezu, në mënyrë që, një mendjeje e njëzëri, të përlëvdoni Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht. Prandaj pranojeni njëri-tjetrin sikurse Krishti ju pranoi, që të përlëvdohet Perëndia. Po ju them se Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të përmbushur premtimet e dhëna etërve dhe për të treguar se Perëndia është i vërtetë. Ai erdhi edhe që kombet të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij, sikurse është shkruar: prandaj do të të përlëvdoj ndër kombe dhe do të lavdëroj emrin tënd. Përsëri thotë: ngazëlloni, o kombe, me popullin e Perëndisë. Dhe sërish: lavdëroni Zotin të gjitha ju kombe dhe të gjithë popujt e lavdërofshin atë! Isaia thotë edhe: do të vijë rrënja e Jeseut, ai që do të ngrihet për të sunduar kombet. Në të do të shpresojnë kombet. Perëndia i shpresës ju mbushtë plot me gëzim e paqe në besimin tuaj, në mënyrë që me fuqinë e Shpirtit të shenjtë të jeni plot me shpresë. Sa për ju, vëllezërit e mi, jam i bindur se jeni plot me mirësi, plot me dije dhe të aftë për të këshilluar njëri-tjetrin. Në disa pjesë të letrës ju shkrova më me ashpërsi për t'ju kujtuar ato që tashmë ju i njihni. E bëra këtë me hirin që më ka dhënë Perëndia për të qenë shërbëtor i Krishtit Jezu për kombet, për të shërbyer si prift për ungjillin e Perëndisë, në mënyrë që kombet të bëhen fli kushtimi që i pëlqen Perëndisë dhe që është e shenjtëruar prej Shpirtit të shenjtë. Prandaj, falë Krishtit Jezu, unë krenohem me gjithçka që bëj për Perëndinë. Nuk do të guxoja të flisja për asgjë tjetër përveçse për ato që bëri Krishti përmes meje, që t'i sillte në bindje ndaj Perëndisë kombet. Këtë e bëra me fjalë e me vepra, me fuqinë e shenjave e të mrekullive dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë. Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri. Jam përpjekur të shpall ungjillin atje ku emri i Krishtit nuk njihej, në mënyrë që të mos ndërtoja mbi themelin e tjetërkujt, sikurse është shkruar: do ta shohin ata të cilëve ai nuk u ishte shpallur dhe ata që nuk kishin dëgjuar, do të kuptojnë. Kjo më ka penguar shumë që të vij te ju. Tani e kam mbaruar punën time në këto krahina. Ka shumë vite që dua të vij te ju dhe shpresoj ta bëj këtë kur të udhëtoj për në Spanjë. Gjatë udhëtimit shpresoj t'ju shoh dhe shpresoj të më ndihmoni për të vazhduar udhëtimin pasi të jem kënaqur sadopak me ju. Tani po shkoj në Jerusalem për t'u shërbyer të shenjtëve. Besimtarët e Maqedonisë e të Akaisë dhanë me kënaqësi një dhuratë ndihme për të shenjtët e varfër në Jerusalem. Këtë e bënë me kënaqësi, sepse u detyrohen atyre. Nëse kombet morën prej tyre bekime shpirtërore, atëherë duhet t'u shërbejnë atyre me të mirat tokësore. Kur ta kem kryer këtë e t'ua kem vulosur këtë dhuratë, do të vij te ju rrugës për në Spanjë. E di se kur të vij te ju do të vij plot me bekimin e Krishtit. Ju lutem, o vëllezër, për hir të Zotit tonë Jezu Krisht dhe për hir të dashurisë së Shpirtit, që bashkë me mua të këmbëngulni në lutje për mua te Perëndia. Lutuni që të shpëtoj nga të pafetë në Jude dhe që shërbesa ime në Jerusalem të jetë e pranueshme për të shenjtët që, në dashtë Perëndia, të vij te ju me gëzim dhe të çlodhem bashkë me ju. Perëndia i paqes qoftë me ju të gjithë! Amen! Po ju lë nën kujdes motrën tonë Febën që shërben në kishën e Kenkresë. Pranojeni në emër të Zotit, siç u ka hije të shenjtëve dhe qëndrojini përkrah në çdo gjë që të ketë nevojë për ju, sepse ajo ka ndihmuar shumë veta dhe më ka ndihmuar edhe mua. Përshëndetni bashkëpunëtorët e mi në veprën e Krishtit Jezu, Priskën e Akuilin, që vunë kokën e tyre në rrezik për jetën time. Ata i falënderoj jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e kombeve. Përshëndetni edhe kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre. Përshëndetni mikun tim të dashur Epenetin që është fryti i parë për Krishtin në Azi. Përshëndetni Marinë që u mundua shumë për ju. Përshëndetni kushërinjtë e mi Andronikun e Junën që kanë qenë në burg me mua e shquhen ndër apostuj. Në të vërtetë, ata kanë besuar në Krishtin përpara meje. Përshëndetni Ampliatin, mikun tim të dashur në Zotin. Përshëndetni bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, Urbanin dhe mikun tim të dashur Stakun. Përshëndetni Apelin që është i sprovuar për Krishtin. Përshëndetni ata të shtëpisë së Aristobulit. Përshëndetni kushëririn tim Herodionin. Përshëndetni ata të shtëpisë së Narcisit që besojnë në Zotin. Përshëndetni Trifenën e Trifozën që mundohen për Zotin. Përshëndetni Persidën e dashur që është munduar shumë për Zotin. Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin nga Zoti dhe nënën e tij, që e kam si nënë edhe unë. Përshëndetni Asinkritin, Flegontin, Hermesin, Patrobin, Hermasin e vëllezërit që janë me ta. Përshëndetni Filologun e Julian, Nereun e motrën e tij, Olimpin dhe të gjithë të shenjtët që janë me ta. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Të gjitha kishat e Krishtit ju përshëndesin. Po ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe bëhen pengesë, në kundërshtim me mësimin që keni marrë. Largohuni prej tyre. Njerëz të tillë nuk i shërbejnë Zotit tonë Krisht, por barkut të tyre. Përmes fjalëve të bukura e lajkave ata mashtrojnë zemrat e të paditurve. Ngazëlloj me ju pasi të gjithë kanë dëgjuar për bindjen tuaj ndaj Zotit. Dua që të jeni të urtë për të bërë të mirën, por të pastër përballë së keqes. Perëndia i paqes do ta shtypë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju! Ju përshëndesin bashkëpunëtori im Timoteu dhe kushërinjtë e mi Luci, Jasoni e Sosipatri. Ju përshëndes në emër të Zotit unë, Terti, që po shkruaj këtë letër. Qoftë i lavdëruar Perëndia që ka pushtetin t'ju forcojë në besim me ungjillin që predikoj unë për Jezu Krishtin, sipas zbulesës së shestimit të fshehtë të Perëndisë. Ky shestim ka qenë ruajtur në heshtje që prej shumë shekujsh, ndërsa tani u shfaq e iu bë i njohur të gjitha kombeve përmes Shkrimeve profetike, sipas urdhrit të Perëndisë së amshuar për t'i bërë ato t'i binden e t'i besojnë Perëndisë. Të vetmit Perëndi të urtë i qoftë lavdia në amshim, përmes Jezu Krishtit! Amen! Unë, Pali, i thirrur për të qenë apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë dhe vëlla Sosteni, po i shkruajmë kishës së Perëndisë, që është në Korint, të shenjtëruarve përmes Jezu Krishtit, të thirrurve për të qenë të shenjtë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend thërrasin emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të tyre dhe Zotit tonë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht! E falënderoj Perëndinë tim gjithnjë për ju, që ju dha hirin e tij me anë të Jezu Krishtit. Ai ju pasuroi në gjithçka, në çdo fjalë e në çdo dije. Kështu, dëshmia për Krishtin u përforcua aq shumë ndër ju, saqë nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërkohë që prisni ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Ai do t'ju mbajë të fortë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në Ditën e Zotit tonë Jezu Krisht. Perëndia, që ju thirri në bashkësi me Birin e tij Jezu Krishtin, Zotin tonë, është besnik. Vëllezër, ju lutem në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të jeni të gjithë në një mendje për atë që thoni dhe të mos keni përçarje mes jush, por të jeni të bashkuar në mendime e arsyetime. Sepse, vëllezërit e mi, disa nga njerëzit e Kloesë më njoftuan se mes jush ka grindje. Këtë e them, sepse një prej jush thotë: «Unë jam i Palit», ndërsa tjetri thotë: «Unë jam i Apolit», ose: «Unë jam i Kefës», ose: «Unë jam i Krishtit». Pse, i ndarë qenka Krishti? A mos u kryqëzua Pali për ju, apo mos u pagëzuat në emër të Palit? Falënderoj Perëndinë, që, përveç Krispit dhe Gajit, nuk kam pagëzuar asnjë prej jush, që të mos thotë askush se u pagëzua në emrin tim. Po, kam pagëzuar edhe ata të shtëpisë së Stefanait, por nuk di të kem pagëzuar edhe ndonjë tjetër. Krishti nuk më ka dërguar të pagëzoj, por të shpall ungjillin, dhe jo me dituri fjalësh, që të mos humbasë fuqia e kryqit të tij. Predikimi i kryqit është marrëzi për ata që shkojnë në humbje, por për ne të shpëtuarit është fuqia e Perëndisë. Sepse është shkruar: urtinë e të urtëve do ta shkatërroj, ndërsa mençurinë e të mençurve do ta hedh tej. Ku është, pra, i urti? Ku është shkruesi? Ku është hulumtuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri Perëndia marrëzi urtinë e kësaj bote? Meqenëse njerëzit nuk e njohën Perëndinë nëpërmjet urtisë, atëherë Perëndia, me urtinë e tij, parapëlqeu t'i shpëtojë ata që besojnë, nëpërmjet marrëzisë së predikimit. Judenjtë kërkojnë shenjë dhe helenët kërkojnë urti, ndërsa ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar që u bëhet pengesë judenjve dhe marrëzi kombeve. Por për ata që janë thirrur nga Perëndia, judenj apo helenë, Krishti është fuqia e Perëndisë dhe urtia e tij. Marrëzia e Perëndisë është më e urtë se njerëzit dhe dobësia e tij është më e fortë se ata. Vëllezër, shikoni kush jeni ju që u thirrët nga Perëndia! Ndër ju, nga ana njerëzore, nuk ka shumë të urtë, as shumë të fortë e as shumë fisnikë. Por Perëndia zgjodhi të marrët sipas botës për të turpëruar të urtët, zgjodhi të dobëtit sipas botës për të turpëruar të fortët. Ai zgjodhi gjërat jo të fisme e të përbuzura të botës, ato që nuk janë asgjë në sytë e saj, për të shkatërruar ato që sipas botës janë të rëndësishme. Kështu, askush nuk mund të mburret para Perëndisë. Por, ai bëri që ju të jeni të bashkuar me Jezu Krishtin, që u bë për ne urtia e Perëndisë. Krishti na bëri të drejtë, na shenjtëroi e na shpengoi, ashtu siç është shkruar: kush krenohet, të krenohet në Zotin. Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju për t'ju shpallur shestimin e fshehtë të Perëndisë, nuk erdha me fjalë të mëdha apo me urti të madhe. Sepse e gjykova të drejtë që të mos ju mësoja asgjë tjetër, përveç Jezu Krishtit dhe madje, Jezu Krishtit të kryqëzuar. Prandaj erdha te ju me dobësi, me frikë dhe me tmerr. Fjalët e mia dhe predikimi im nuk u mbështetën në fjalë bindëse plot urti, por në dëftimin e Shpirtit dhe të fuqisë së Perëndisë, që besimi juaj të mos mbështetet në urtinë njerëzore, por në fuqinë e Perëndisë. Megjithatë ne u flasim për urti atyre që janë të pjekur shpirtërisht, por jo për urtinë e kësaj epoke e as për urtinë e prijësve të kësaj bote që shkojnë drejt shkatërrimit. Ne flasim për urtinë e shestimit të Perëndisë, të fshehur për njerëzit, por që ai e kishte paracaktuar përpara kësaj jete, që ne të marrim pjesë në lavdinë e tij. Asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e ka njohur këtë urti, sepse po ta njihnin, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, siç është shkruar: ato gjëra që syri nuk i pa e veshi nuk i dëgjoi dhe që nuk hynë në zemrën e njeriut, Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan. Ndërsa neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Shpirtit, sepse Shpirti shqyrton gjithçka, madje edhe vetë thellësitë e Perëndisë. Kush i njeh të fshehtat e njeriut, përveç shpirtit të tij? Po kështu edhe të fshehtat e Perëndisë nuk i njeh askush, përveç Shpirtit të Perëndisë. Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij. Këto që themi, nuk i kemi nga fjalë të mësuara me urti njerëzore, por nga fjalë të mësuara prej Shpirtit, duke ua shtjelluar gjërat shpirtërore atyre që kanë marrë Shpirtin e shenjtë. Njeriu që nuk e ka marrë Shpirtin e shenjtë, nuk i pranon të vërtetat e Shpirtit të Perëndisë. I duken marrëzi e nuk mund t'i kuptojë, sepse ato duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. Ndërsa njeriu që e ka marrë Shpirtin e shenjtë, kupton gjithçka e askush nuk mund ta kuptojë gjykimin e tij, sepse, kush i njohu mendimet e Zotit, që t'i japë mend atij? Por ne kemi mendjen e Krishtit. Unë, o vëllezër, nuk munda të flas me ju si me njerëz që kanë Shpirtin e Perëndisë, por si me njerëz të kësaj bote, si me foshnja në besimin e Krishtit. Ju ushqeva me qumësht dhe jo me ushqim të fortë, sepse nuk mund ta përtypnit. Por edhe tani nuk mundni, sepse jeni ende njerëz të kësaj bote. Nëse keni smirë e grindje mes jush, a nuk tregoni se jeni të kësaj bote dhe jetoni si të gjithë njerëzit? Kur njëri thotë: «Unë jam i Palit» dhe tjetri: «Unë jam i Apolit», a nuk jeni si të gjithë njerëzit e tjerë? Kush është Apoli dhe kush është Pali? Janë vetëm shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve besuat dhe që veprojnë, secili sipas fuqisë që i dha Zoti. Unë mbolla farën, Apoli e ujiti, por Perëndia e rriti. Kështu, nuk kanë rëndësi as ai që mbjell e as ai që ujit, por Perëndia që rrit. Ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas mundit. Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij. Unë, sipas hirit që më dha Perëndia, si arkitekt i ditur vura themelin, por tjetërkush po ndërton mbi të. Secili të ketë kujdes sesi ndërton. Askush nuk mund të vendosë një themel tjetër përveç këtij që kemi dhe që është Jezu Krishti. Disa ndërtojnë mbi këtë themel me ar, argjend apo gurë të çmuar dhe disa të tjerë ndërtojnë me dru, sanë apo kashtë, por vepra e secilit prej tyre do të dalë në dritë dhe vlerën e saj do ta tregojë dita e gjykimit. Ajo ditë do të vijë me zjarr dhe me këtë zjarr do të provohet vepra e kujtdo. Nëse vepra që ndërtoi dikush i qëndron zjarrit, ai do të marrë shpërblimin. Nëse vepra e dikujt digjet, ai do ta humbasë shpërblimin, por vetë do të shpëtojë si një njeri që kalon përmes zjarrit. A nuk e dini se jeni tempull i Perëndisë dhe se Shpirti i Perëndisë banon në ju? Nëse dikush rrënon tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta rrënojë atë, sepse tempulli i Perëndisë është i shenjtë dhe ky tempull jeni ju. Mos mashtroni veten! Nëse ndonjë nga ju pandeh se është i urtë në këtë jetë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë. Sepse urtia e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, siç është shkruar: ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre. Dhe: Zoti i njeh mendimet e të urtëve dhe e di se janë të kota. Prandaj, asnjë të mos mburret me njerëzit, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja dhe e ardhmja. Gjithçka është juaja, ndërsa ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë. Kështu, gjithkush të na shohë si shërbëtorë të Krishtit dhe si kujdestarë të të fshehtave të Perëndisë. Ajo që kërkohet nga kujdestarët është të jenë besnikë. Sa për mua, nuk ka shumë rëndësi nëse gjykohem nga ju apo nga ndonjë gjyq njerëzor dhe, madje, as vetë unë nuk e gjykoj veten. Ndërgjegjja nuk më qorton për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj mos gjykoni para kohe, derisa të vijë Zoti që do të nxjerrë në dritë të fshehtat e errësirës dhe do të zbulojë dëshirat e zemrës. Atëherë gjithsecili do të marrë lëvdimin e vet nga Perëndia. O vëllezër, këto gjëra që ju thashë për veten dhe për Apolin jua dhashë si shembull, që të mësoni kuptimin e thënies «Sa është shkruar e jo më shumë» dhe që të mos krenoheni me njërin e të hidhni poshtë tjetrin. Çfarë të dallon nga të tjerët? A nuk t'i ka dhënë tjetërkush të gjitha ato që ke? Nëse i ke marrë nga Perëndia, përse mburresh si të mos i kishe marrë prej tij? Tani qenkeni të ngopur! Tani qenkeni të pasur! Tani qenkeni bërë mbretër pa ne! Ah, sikur të ishit bërë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju. Unë mendoj se Perëndia na ka vënë ne apostujt në vendin e fundit, na ka bërë si të dënuar me vdekje, se jemi bërë gazi i botës, i engjëjve dhe i njerëzve. Kështu, për shkak të Krishtit ne jemi të marrë, ndërsa ju të mençur; ne jemi të dobët, ndërsa ju të fortë; ne jemi të poshtëruar, ndërsa ju të nderuar. Sot e kësaj dite ne kemi uri, kemi etje, jemi të zhveshur, na rrahin me shuplaka, endemi pa shtëpi dhe lodhemi duke punuar me duart tona. Kur na fyejnë, bekojmë; kur na përndjekin, durojmë; kur na shajnë, përgjigjemi me mirësi. Jemi bërë si plehrat e botës dhe ende jemi si fundërrinat e njerëzve. Këto nuk jua shkruaj për t'ju turpëruar, por për t'ju këshilluar si bijtë e mi të dashur. Edhe sikur të kishit me mijëra mësues për besimin në Krishtin, nuk keni shumë etër, se jam unë ai që ju ktheva në besimin e Krishtit Jezu me anë të ungjillit. Prandaj ju kërkoj të më shkërbeni mua. Për këtë arsye ju dërgova Timoteun që është biri im i dashur dhe besnik në veprën e Zotit. Ai do t'ju kujtojë parimet e mia për jetën me Krishtin Jezu, ashtu siç ua mësoj unë njerëzve në çdo kishë. Disa nga ju filluan të krekosen duke menduar se nuk do të vij te ju, por do të vij së shpejti, në dashtë Zoti, dhe ata që krekosen do t'i njoh nga çfarë janë të zotë të bëjnë e jo nga fjalët. Mbretëria e Perëndisë nuk duket nga fjalët, por nga fuqia. Çfarë doni? Të vij te ju me thupër apo me dashuri e me shpirtbutësi? Kudo dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që nuk e gjen as ndër kombe. Njëri nga ju ka marrë gruan e të atit e ju më krekoseni. A nuk do të ishte më mirë të vajtonit, që të shporret nga ju ai që ka bërë një vepër të tillë? Megjithëse unë nuk jam aty me trup, jam aty me shpirt dhe tashmë e kam gjykuar atë që e ka bërë këtë gjë, si të isha aty. Kur të mblidheni në emër të Zotit tonë Jezu do të jem edhe unë shpirtërisht me ju dhe atëherë me fuqinë e Zotit tonë Jezu dorëzojani atë njeri Satanit për t'i shkatërruar trupin, që t'i shpëtojë shpirti ditën e Zotit. Nuk është mirë të mburreni! A nuk e dini se pak tharm mbrun gjithë brumin? Pastrohuni nga tharmi i vjetër, që të bëheni brumë i ri, ashtu siç jeni pa tharm, sepse Krishti, Pashka jonë, është flijuar. Të mos kremtojmë me tharmin e vjetër, me tharmin e së keqes e të ligësisë, por me bukët e ndorme të pastërtisë e të së vërtetës. Në letër ju shkrova që të mos përziheni me kurvarë. Nuk bëhet fjalë për të gjithë kurvarët e kësaj bote, as për lakmitarët, zhvatësit apo idhujtarët, se do të duhej të iknit nga bota, por tani po ju shkruaj që të mos përziheni me ndonjë që e quan veten vëlla, por është kurvar, lakmitar, idhujtar, shpifës, pijanec, apo zhvatës. Mos hani me të! Ç'punë kam unë të gjykoj ata që janë jashtë kishës? A nuk i gjykoni ju ata që janë brenda saj? Ata që janë jashtë kishës i gjykon Perëndia. Zhdukeni ligësinë nga mesi juaj! Kush nga ju, kur ka ndonjë mosmarrëveshje me një tjetër, guxon të kërkojë të gjykohet para të padrejtëve dhe jo para të shenjtëve? Apo nuk e dini se këta do të gjykojnë botën? Nëse ju do të gjykoni botën, a nuk mund të gjykoni gjëra më të vogla? A nuk e dini se ne do të gjykojmë engjëjt? Atëherë, si nuk mundemi të gjykojmë çështjet e jetës së përditshme? Nëse keni për të gjykuar çështje të tilla, ju caktoni si gjykatës më të papërfillshmit e kishës? Le t'ju vijë turp për këtë që po them! Nuk paska asnjë të urtë ndër ju që të mund të gjykojë një çështje mes vëllezërve? Vëllai çon në gjyq vëllanë e madje para jobesimtarëve? Gjyqet që keni me njëri-tjetrin dëshmojnë se keni dështuar. Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë padrejtësi? Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë dëm? Përkundrazi, ju vetë u bëni padrejtësi e u shkaktoni dëm të tjerëve, madje edhe vetë vëllezërve. Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarët, as idhujtarët, as ata që bëjnë tradhti bashkëshortore, as të zhburrëruarit, as ata që shkojnë me meshkuj, as vjedhësit, as lakmitarët, as pijanecët, as shpifësit, as zhvatësit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Dhe të tillë ishit disa prej jush, por u latë, u shenjtëruat dhe u bëtë të drejtë në emër të Zotit Jezu Krisht dhe nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë tonë. Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por unë nuk do të sundohem nga asgjë. Thonë edhe: «Ushqimi është për barkun dhe barku për ushqimin». Por Perëndia do ta shkatërrojë edhe barkun, edhe ushqimin. Trupi nuk është për kurvëri, por për Zotin dhe Zoti për trupin. Perëndia do të na ngjallë edhe ne me fuqinë e tij, ashtu siç ngjalli Zotin. A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? T'i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e t'i bëj gjymtyrë të lavires? Larg qoftë! Apo nuk e dini se ai që bashkohet me një lavire bëhet një trup me të? Se që të dy do të jenë një trup i vetëm. Ai që bashkohet me Zotin, bëhet një shpirt me të. Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat tjetër që bën njeriu është jashtë trupit, ndërsa ai që kurvëron, mëkaton kundër vetë trupit të tij. Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të shenjtë që është në ju dhe që jua dha Perëndia dhe se ju nuk i përkisni vetes tuaj? Perëndia ju bleu me një çmim. Përlëvdojeni, pra, Perëndinë në trupin tuaj! Sa për ato që më shkruat, mirë është që njeriu të mos prekë grua. Por për të mos rënë në kurvëri, çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të ketë burrin e vet. Burri le të përmbushë detyrimin e tij martesor ndaj gruas dhe po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. Gruaja nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron burri i saj. Po ashtu edhe burri nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron gruaja e tij. Mos iu privoni njëri-tjetrit, përveçse kur keni vendosur që për pak kohë t'i përkushtoheni lutjes. Pastaj bashkohuni përsëri, që për shkak të mospërmbajtjes suaj të mos ju tundojë Satani. Këtë nuk e them si urdhër, por si diçka që është e lejueshme. Unë do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë, por secili ka dhuntinë e vet nga Perëndia, njëri kështu e tjetri ashtu. Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë të qëndrojnë si unë. Por, nëse nuk përmbahen dot, le të martohen, sepse është më mirë të martohen se të digjen nga dëshirat. Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri. Nëse ndahet, le të qëndrojë e pamartuar ose të pajtohet me burrin. Dhe burri të mos e lërë gruan. Ndërsa të tjerëve u them unë, jo Zoti, se nëse një vëlla ka për grua një jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë. Dhe nëse një grua ka për burrë një jobesimtar dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin. Sepse burri jobesimtar do të shenjtërohet nga gruaja dhe gruaja jobesimtare do të shenjtërohet nga burri. Përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani janë të shenjtë. Nëse jobesimtari dëshiron të ndahet, le të ndahet. Besimtari ose besimtarja nuk janë më të lidhur nga këto gjëra, sepse Perëndia ju ka thirrur në paqe. Nga e di ti, o grua? Ndoshta do ta shpëtosh burrin. Nga e di ti, o burrë? Ndoshta do ta shpëtosh gruan. Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu siç i ka dhënë Zoti dhe ashtu siç ka qenë kur e thirri Perëndia. Kështu urdhëroj për të gjitha kishat. Nëse dikush u thirr kur ishte i rrethprerë, të mos mundohet ta ndreqë rrethprerjen. Nëse dikush u thirr kur ishte i parrethprerë, të mos rrethpritet. Rrethprerja dhe parrethprerja nuk janë asgjë, por ajo që ka rëndësi është zbatimi i urdhërimit të Perëndisë. Secili të mbetet siç ishte kur e thirri Perëndia. Ishe skllav kur u thirre nga Perëndia? Mos u shqetëso për këtë, por nëse të jepet mundësia të fitosh lirinë, atëherë më mirë shfrytëzoje. Ai që u thirr nga Zoti kur ishte skllav, mori lirinë prej tij. Po ashtu edhe ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit. Perëndia ju bleu me një çmim. Mos u bëni skllevër të njerëzve! Vëllezër, secili të mbetet para Perëndisë siç ishte kur u thirr prej tij. Për virgjëreshat nuk kam ndonjë urdhër nga Zoti, por po shpreh mendimin tim si njeri që, nga mëshira e Zotit, jam i besueshëm. Mendoj se për shkak të vështirësive të tanishme mirë është që njeriu të qëndrojë siç është. Je i martuar? Mos kërko të ndahesh! Je i pamartuar? Mos kërko grua! Nëse martohesh, nuk mëkaton. Edhe një virgjëreshë nëse martohet, nuk mëkaton. Por të martuarit hyjnë në mundime trupore dhe këtë dua t'jua kursej. Këtë e them, o vëllezër, sepse koha që mbetet është aq e shkurtër, saqë edhe ata që kanë gra, duhet të jetojnë si të mos kishin; ata që qajnë, si të mos qanin; ata që gëzohen, si të mos gëzoheshin; ata që blejnë, si të mos kishin asgjë; dhe ata që i gëzojnë të mirat e kësaj bote, si të mos i gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. Dua që të mos keni kokëçarje. I pamartuari shqetësohet për gjërat e Zotit dhe kërkon si t'i pëlqejë Zotit, ndërsa i martuari shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë gruas dhe është i ndarë më dysh. Po ashtu, si gruaja e pamartuar, edhe virgjëresha shqetësohen për gjërat e Zotit, që të jenë të shenjta në trup e në shpirt, ndërsa e martuara shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë burrit. Edhe këto gjëra po jua them për të mirën tuaj dhe jo për t'ju vënë lakun në fyt, por që të jetoni sa më hijshëm e sa më të përkushtuar ndaj Zotit, pa shqetësime. Por, nëse dikush shikon se do të sillej në mënyrë të pahijshme ndaj të fejuarës së tij, sepse digjet nga dëshira dhe mendon se duhet të martohet, le të bëjë si të dojë, le të martohet, nuk mëkaton. Ndërsa ai që është i palëkundur në zemër dhe ndien se nuk ka nevojë, por i zotëron dëshirat dhe e ka vendosur me gjithë zemër që ta ruajë të fejuarën e vet, bën mirë. Kështu, ai që martohet me të fejuarën e vet bën mirë; ai që nuk martohet bën edhe më mirë. Gruaja është e lidhur me burrin e saj për sa kohë ai jeton. Nëse vdes burri, ajo është e lirë të martohet me kë të dojë, veçse martesa të bëhet në Zotin. Ajo do të jetë më e lume nëse mbetet siç është. Ky është mendimi im dhe unë mendoj se e kam Shpirtin e Perëndisë. Lidhur me mishin që u flijohet idhujve, e dimë se të gjithë i kemi njohuritë e duhura. Por dija të rrit mendjen, ndërsa dashuria të rrit në besim. Ai që mendon se di diçka, ende nuk di siç duhet të dijë. Por ai që e do Perëndinë, njihet prej Perëndisë. Lidhur me ngrënien e mishit që u flijohet idhujve, e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se ka vetëm një Perëndi. Edhe pse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell apo në tokë, sikurse thuhet se ka shumë perëndi e shumë zotër, për ne ka vetëm një Perëndi, Ati, nga i cili është krijuar gjithçka dhe të cilit i përkasim, dhe një Zot, Jezu Krishti, përmes të cilit u krijua gjithçka e përmes të cilit jetojmë edhe ne. Por jo të gjithë i kanë njohuritë e duhura. Disa që nuk i kanë hequr ende doket e idhujtarisë, e hanë mishin që u flijohet idhujve si t'u përkiste idhujve. Kështu, ndërgjegjja e tyre e dobët përlyhet. Ushqimi nuk do të na çojë më pranë Perëndisë. Nuk humbasim asgjë nëse nuk hamë; dhe nuk fitojmë asgjë, nëse hamë. Por kini kujdes që liria juaj të mos bëhet pengesë për më të dobëtit në besim. Nëse ndonjë prej tyre të shikon ty që ke njohuri në një tryezë ku hahet mish që u është flijuar idhujve, a nuk do ta shtyjë atë ndërgjegjja e dobët që të shkojë e të hajë mishin që u flijohet idhujve? Kështu, për shkak të dijes sate do të humbasë i dobëti, vëllai, për të cilin vdiq Krishti. Pra, duke mëkatuar ndaj vëllezërve dhe duke lënduar ndërgjegjen e tyre të dobët, mëkatoni ndaj Krishtit. Prandaj, nëse ushqimi im bëhet pengesë për vëllain tim, unë nuk do të ha kurrë mish, që mos t'i bëhem pengesë. A nuk jam i lirë unë? A nuk jam apostull? A nuk e kam parë unë Jezuin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? Nëse për të tjerë nuk jam apostull, për ju patjetër që jam, sepse vetë ju që besoni në Zotin jeni prova që vërteton se unë jam apostull. Mbrojtja ime përballë atyre që më gjykojnë, është kjo: a nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë? A nuk kemi edhe ne të drejtë të kemi një grua besimtare, siç kanë apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit dhe Kefa? Pse vetëm unë dhe Barnaba duhet të punojmë për të mbajtur veten? Kush shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush është ai që mbjell vreshtin dhe nuk shijon frytet e tij? Apo kush është ai bari që nuk shijon nga qumështi i tufës së tij? Mos po i them këto si njeri? A nuk thotë kështu edhe ligji? Në ligjin e Moisiut shkruhet: mos ia lidh gojën kaut që shin. Mos shqetësohet për qetë këtu Perëndia apo flet për ne? Sigurisht që për ne është shkruar, sepse ai që lëron dhe ai që shin duhet ta bëjnë punën me shpresën se do të marrin pjesën e tyre. Nëse ne mbollëm të mirat shpirtërore te ju, kaq gjë e madhe na qenka nëse korrim të mirat materiale nga ju? Nëse të tjerë e paskan këtë të drejtë, a nuk duhet ta kishim ne shumë më tepër? Por ne nuk e kemi përdorur këtë të drejtë. Përkundrazi, durojmë gjithçka që të mos bëhemi pengesë për ungjillin e Krishtit. A nuk e dini se ata që punojnë në tempull ushqehen nga të ardhurat e tempullit dhe se ata që shërbejnë në altar marrin pjesën e tyre nga ato që flijohen atje? Kështu edhe Zoti ka urdhëruar që ata që shpallin ungjillin, të jetojnë nga ungjilli. Por unë nuk kam përdorur asnjë nga këto të drejta. Këto nuk po jua shkruaj që të veproni kështu edhe me mua. Më mirë të vdes, sesa të ma heqë ndokush këtë gjë për të cilën mburrem. Nuk mburrem që predikoj ungjillin, sepse këtë e kam për detyrë. Mjerë unë po nuk e predikova! Po ta kisha bërë me dëshirën time, do të merrja shpërblim, por përderisa e bëj pa dëshirën time, atëherë vetëm bëj detyrën që më ka ngarkuar Perëndia. Cili është shpërblimi im atëherë? Të predikoj ungjillin falas, pa i shpërdoruar të drejtat që më jep predikimi i tij. Megjithëse jam i lirë nga të gjithë, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të fitoj sa më shumë njerëz në besim. Mes judenjve u bëra jude, që t'i fitoja judenjtë. Mes atyre që ishin nën ligjin u bëra si njeri nën ligjin, pavarësisht se nuk jam, që të fitoja ata që ishin nën këtë ligj. Mes atyre që nuk e njihnin ligjin u bëra si njeri pa ligjin, edhe pse nuk jam pa ligjin e Perëndisë, por jam me ligjin e Krishtit, që të fitoja ata që ishin pa ligjin. Mes të dobtëve në besim u bëra i dobët, që të fitoja të dobëtit. U bëra gjithçka për të gjithë, që të shpëtoja disa prej tyre. Të gjitha këto i bëj për ungjillin, që të kem pjesë në të. A nuk e dini se nga të gjithë ata që vrapojnë në arenë, vetëm njëri e fiton çmimin? Vraponi, pra, dhe ju që të fitoni çmimin. Të gjithë ata që marrin pjesë në vrapim i nënshtrohen një disipline të rreptë, ata për të fituar një kurorë që prishet, ndërsa ne atë që nuk prishet. Kështu vrapoj dhe unë tani, por jo pa synim të qartë, kështu luftoj me grushta, por jo sikur rrah erën. E mundoj trupin dhe e nënshtroj, që të mos përjashtohem vetë, pasi t'u kem predikuar të tjerëve. Vëllezër, nuk dua të mos e dini se etërit tanë ishin nën mbrojtjen e resë dhe që të gjithë kaluan mes për mes detit. Të gjithë ata u bashkuan me Moisiun duke u pagëzuar në re dhe në det. Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror dhe pinë të njëjtën pije shpirtërore, sepse pinin nga shkëmbi shpirtëror që i shoqëronte. Ky shkëmb ishte Krishti. Por shumica e tyre nuk gjetën pëlqimin e Perëndisë dhe ranë të vdekur në shkretëtirë. Këto ngjarje u bënë shembull për ne, që të mos dëshirojmë edhe ne gjëra të këqija, siç dëshiruan ata. Mos u bëni idhujtarë si disa prej tyre, sikurse është shkruar: populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për të luajtur. As të mos kurvërojmë si disa prej tyre, që ranë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë. As Krishtin të mos e vëmë në provë, siç bënë disa prej tyre, që vdiqën nga gjarpërinjtë. As mos murmurisni, siç bënë disa prej tyre, që u vranë nga engjëlli shkatërrues. Këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar që të bëhen mësim për ne që jetojmë në fund të kohëve. Kush mendon se qëndron i sigurt, kujdes se mos rrëzohet! Sprovat që kishit deri tani kanë qenë brenda mundësive njerëzore. Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë të viheni në provë përtej mundësive tuaja, por bashkë me sprovat do t'ju japë edhe rrugëdaljen, që të mund t'i përballoni. Prandaj, fort të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria! Po flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykojini vetë këto që po them. Kur pimë nga kupa për të cilën bekojmë Perëndinë, a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit? Kur hamë nga buka që thyejmë, a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit? Ashtu si buka është një e vetme, ashtu edhe ne, edhe pse jemi shumë, bëhemi një trup i vetëm, sepse marrim pjesë në të vetmen bukë. Shikoni popullin e Izraelit! A nuk marrin pjesë në altar ata që hanë flijimet që kushtohen mbi të? A dua të them me këtë se mishi që u flijohet idhujve ka ndonjë vlerë apo që idhujt janë ndonjë gjë? Jo, por dua të them se ato ua flijojnë djajve e jo Perëndisë dhe unë nuk dua që të keni pjesë me djajtë. Nuk mund të pini edhe nga kupa e Zotit, edhe nga kupa e djajve; nuk mund të hani edhe nga tryeza e Zotit, edhe nga tryeza e djajve. Mos duam të nxisim xhelozinë e Zotit? Vallë, mos jemi më të fortë se ai? Disa thonë: «Gjithçka lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka lejohet, por jo gjithçka bën mirë. Askush të mos kërkojë të mirën e vet, por të mirën e tjetrit. Hani çdo gjë që shitet në thertore, pa e hetuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj, sepse toka dhe gjithçka gjendet në të janë të Zotit. Nëse ndonjë jobesimtar ju fton në shtëpi dhe pranoni të shkoni, hani gjithçka që ju vënë përpara, pa e hetuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj. Por nëse dikush ju thotë: «Ky është mish që u është flijuar idhujve», mos hani për shkak të atij që jua tha këtë dhe për shkak të ndërgjegjes, jo për ndërgjegjen tuaj, por për ndërgjegjen e tjetrit. Por, pse të kufizohet liria ime nga ndërgjegjja e tjetrit? Nëse unë falënderoj Perëndinë për atë që ha, përse të shahem për shkak të ushqimit për të cilin kam falënderuar Perëndinë? Edhe kur hani, edhe kur pini, edhe kur bëni ndonjë gjë tjetër, bëjeni për lavdi të Perëndisë. Por mos u bëni pengesë as për judenjtë, as për helenët e as për kishën e Perëndisë. Bëni si unë që mundohem t'u pëlqej të gjithëve, pa kërkuar përfitimin tim, por dobinë e të gjithëve, që të shpëtohen. Më shkërbeni mua, sikurse unë shkërbej Krishtin. Ju përgëzoj, se më kujtoni në çdo rast dhe i ruani traditat ashtu siç jua kam dhënë. Por dua ta dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri dhe kreu i Krishtit është Perëndia. Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë mbuluar, turpëron kryet e vet. Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë zbuluar, turpëron kryet e vet, sepse është njësoj si të kishte rruar kokën. Nëse gruaja nuk mbulon kokën, atëherë le të qethet. Por, nëse për të është turp të qethet a të rruajë kokën, atëherë le ta mbulojë kokën. Burri nuk duhet ta mbulojë kokën, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, ndërsa gruaja është lavdia e burrit. Nuk u krijua burri nga gruaja, por gruaja nga burri. Burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. Prandaj, për shkak të engjëjve, gruaja duhet të mbajë mbi kokë një shenjë varësie. Megjithatë në jetën tonë me Zotin as burri nuk është i pavarur nga gruaja dhe as gruaja nga burri. Sikurse gruaja u krijua nga burri, ashtu edhe burri lindet nëpërmjet gruas dhe gjithçka vjen nga Perëndia. Gjykoni vetë: a i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa mbuluar kokën? A nuk na mëson vetë natyra se për burrin është çnderim nëse i mban flokët të gjatë, ndërsa për gruan është nder? Flokët i janë dhënë asaj si mbulesë. Por, nëse ndokush mendon ndryshe për këtë çështje, duhet ta dijë se një zakon të tillë nuk e kemi as ne, as kishat e Perëndisë. Megjithatë, për këto që do t'ju them tani, nuk mund t'ju përgëzoj. Kur mblidheni bashkë, është për më keq e jo për mirë. Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj. Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të dalin në pah të sprovuarit. Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit. Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, njëri mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet. A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë e të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t'ju them? T'ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj. Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo: Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu e tha: «Ky është trupi im për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim». Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim». Sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju lajmëroni vdekjen e Zotit derisa të vijë ai. Prandaj ai që ha bukën e Zotit, apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka e të pijë nga kupa. Kush ha e kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet. Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët, të sëmurë dhe mjaft kanë vdekur. Sepse po të shqyrtojmë veten, nuk do të dënohemi. Kur na gjykon Zoti, na gjykon për të na ndrequr e jo për të na dënuar bashkë me botën. Kështu, o vëllezër, kur të mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit, prisni njëri-tjetrin. Kush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për të marrë gjykimin e Zotit. Të tjerat do t'i rregulloj kur të vij vetë. Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të shenjtë, nuk dua të jeni të paditur. Ju e dini se, kur ishit prej kombeve, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë. Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu», nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i shenjtë. Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt. Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot. Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë. Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve. Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri. Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar, dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve. Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij. Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti. Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt. Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë. Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit? Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi. Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup. Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën». Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet. Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme, gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën. Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të. Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij. Prandaj Perëndia i caktoi disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata me dhuntitë për të bërë mrekulli, të shërimeve, të përkujdesjes, të drejtimit e të larmive të gjuhëve. A mos janë të gjithë apostuj, apo mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues, apo mos kanë të gjithë dhuntinë për të bërë mrekulli? A mos kanë të gjithë dhuntinë e shërimeve, apo mos flasin të gjithë shumë gjuhë? A mos janë të gjithë shpjegues gjuhësh? Por kërkoni me zell dhuntitë më të larta. Unë po ju tregoj udhën më të lartë. Sikur të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashuri do të isha si bronzi që kumbon, ose si cimbali që tingëllon. Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, të njihja të gjitha të fshehtat, të zotëroja të gjitha dijet, dhe të kisha gjithë besimin për të lëvizur malet prej vendit, por të mos kisha dashuri, nuk do të isha asgjë. Edhe sikur t'ua ndaja të varfërve gjithë pasurinë dhe ta jepja trupin të digjej, por të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë. Dashuria është zemërgjerë, dashuria është e mirë, nuk ka smirë, nuk krekoset, nuk mburret, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon përfitim, nuk pezmatohet, nuk mendon të ligën, nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën. Dashuria përballon gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka dhe duron gjithçka. Dashuria nuk shteron kurrë, ndërsa profecitë do të reshtin, gjuhët do të pushojnë dhe dijet do të marrin fund. Në të vërtetë, ne kemi dije deri diku dhe profetizojmë deri diku. Por kur të vijë përsosmëria, ajo që është e paplotë do të marrë fund. Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë; por kur u bëra burrë, i hodha tej gjërat fëmijërore. Tani shohim në mënyrë të errët, si në pasqyrë, por një ditë do të shohim ballë për ballë. Tani njoh deri diku, por një ditë do të njoh plotësisht, ashtu siç më njeh Perëndia. Tani mbeten këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja ndër to është dashuria. Kërkoni që të fitoni dashurinë dhe dëshironi me zell dhuntitë shpirtërore, sidomos atë të profecisë. Ai që flet gjuhë të panjohur, nuk flet me njerëzit, por me Perëndinë, sepse nuk e kupton askush. Me fuqinë e Shpirtit ai thotë gjëra të fshehta, ndërsa ai që profetizon, u flet njerëzve me fjalë që rrisin shpirtërisht, nxisin e ngushëllojnë. Ai që flet gjuhë të panjohur, ndihmon veten për t'u rritur në besim, ndërsa ai që profetizon, ndihmon kishën për t'u rritur në besim. Do të doja që të gjithë ju të flisnit gjuhë të panjohura, por më shumë do të doja të profetizonit. Ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të panjohura, vetëm nëse ky e shpjegon gjuhën që flet, që kjo të shërbejë për rritjen e kishës. Nëse vij te ju, o vëllezër, duke folur në gjuhë të panjohura, çfarë dobie do të keni nëse nuk ju flas për ndonjë zbulesë, njohuri, profeci apo mësim? Nëse veglat muzikore që nuk kanë shpirt, fyelli apo qestja, nuk japin tinguj të qartë, si do të dallohet melodia e fyellit nga e qestes? Nëse trumbeta nuk lëshon tingull të qartë, kush do të bëhej gati për betejë? Po ashtu edhe ju, nëse flisni fjalë të pakuptueshme, kush do t'i kuptonte fjalët tuaja? Ato do të ishin fjalë në erë! Në botë ka larmi gjuhësh, por asnjëra nuk është pa kuptim. Nëse nuk e kuptoj gjuhën që më flasin, do të jem i huaj për atë që më flet dhe ai do të jetë i huaj për mua. Kështu edhe ju, meqë dëshironi shumë të keni dhunti shpirtërore, kërkoni që t'i keni me tepri për rritjen e kishës. Prandaj, ai që flet gjuhë të panjohur, të lutet që të marrë edhe dhuntinë për ta shpjeguar. Nëse lutem në gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, por mendja ime nuk bashkëvepron. Çfarë të bëj, atëherë? Do të lutem me shpirt, por do të lutem edhe me mendje. Do të këndoj himne me shpirt, por do të këndoj edhe me mendje. Sepse, nëse ti e bekon Perëndinë me shpirt, si do t'i përgjigjet «Amen» falënderimit tënd dëgjuesi i thjeshtë i bashkësisë, përderisa nuk i kupton ato që thua? Ti mund të bësh një lutje të bukur falënderimi, por tjetri nuk rritet në besim. E falënderoj Perëndinë, sepse flas më shumë gjuhë të panjohura se të gjithë ju, por në kishë dua të them pesë fjalë që kuptohen, që të tjerët të mësojnë më mirë, sesa dhjetë mijë fjalë në një gjuhë të panjohur. Vëllezër, mos u bëni si fëmijë nga mendja. Jini si foshnja para së keqes, por të pjekur nga mendja. Në ligj është shkruar: « Këtij populli do t'i flas me njerëz që flasin gjuhë të tjera dhe me gojën e të huajve, por as kështu nuk do të më dëgjojnë », thotë Zoti. Prandaj gjuhët nuk janë shenjë për ata që besojnë, por për ata që nuk besojnë, ndërsa profecia nuk është për ata që nuk besojnë, por për ata që besojnë. Nëse mblidhet kisha në një vend e të gjithë flasin gjuhë të panjohura dhe po të hyjnë aty njerëz që nuk dinë ose që nuk besojnë, a nuk do të thonë se jeni marrosur? Por nëse të gjithë do të profetizojnë dhe aty hyn ndonjë që nuk beson apo nuk di, atëherë ai do të ndihet i qortuar dhe i dënuar nga ato që dëgjon. Të fshehtat e zemrës së tij do të shfaqen dhe duke rënë me fytyrë përdhe do të adhurojë Perëndinë e do të thotë: «Perëndia është me të vërtetë mes jush». Çfarë duhet bërë atëherë, o vëllezër? Kur të mblidheni së bashku, dikush mund të këndojë një himn, dikush mund të japë një mësim, dikush mund të ketë një zbulesë, dikush një gjuhë të panjohur dhe dikush një shpjegim të gjuhës. Të gjitha le të bëhen për rritjen shpirtërore të kishës. Nëse dikush dëshiron të flasë në gjuhë të panjohur, le të flasin dy ose e shumta tre veta, njëri pas tjetrit, dhe njëri të shpjegojë. Po të mos ketë ndonjë që mund të shpjegojë, atëherë ai që flet në gjuhë të panjohur të heshtë në kishë dhe të flasë me veten e me Perëndinë. Nga profetët të flasin dy ose tre, ndërsa të tjerët të gjykojnë ato që thuhen. Por nëse ndonjëri nga ata që rrinë ulur ka ndonjë zbulesë, atëherë ai që është duke folur, le të heshtë. Një nga një të gjithë mund të profetizoni, që të mësojnë dhe të marrin zemër të gjithë. Profetët duhet ta zotërojnë mirë dhuntinë që u është dhënë, sepse Perëndia nuk është Perëndi trazirash, por paqeje. Ashtu siç ndodh në të gjitha kishat e të shenjtëve, gratë le të heshtin në kishë. Atyre nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, siç thotë ligji. Nëse duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është turp për gruan të flasë në kishë. A thua doli nga ju fjala e Perëndisë, apo mbërriti vetëm te ju? Nëse ndokush mendon se është profet apo njeri shpirtëror, ai duhet ta kuptojë se këto që ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. Kush nuk i pranon, të mos pranohet. Kështu, vëllezërit e mi, kërkoni më shumë të profetizoni, por mos ndaloni të flitet në gjuhë të panjohura. Gjithçka të bëhet siç ka hije dhe me rregull. Vëllezër, dua t'ju kujtoj ungjillin që ju kam predikuar, të cilin e keni pranuar dhe në të cilin qëndroni. Nëpërmjet tij shpëtoheni, nëse e ruani siç jua kam predikuar, përndryshe keni besuar kot. Para së gjithash ju kam shpallur të vërtetën që m'u dha edhe mua, se Krishti, sipas Shkrimeve, vdiq për mëkatet tona, u varros dhe u ngjall ditën e tretë, po sipas Shkrimeve. Ai iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq njëherësh mbi pesëqind vëllezërve, nga të cilët disa kanë vdekur, por shumica jeton ende. Më pas iu shfaq Jakobit e pastaj të gjithë apostujve. Në fund, m'u shfaq edhe mua, dështakut. Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë, por me hirin e Perëndisë jam ai që jam dhe hiri i tij për mua nuk ka shkuar kot. Unë jam munduar më shumë se të gjithë ata, jo unë vetë, por hiri i Perëndisë bashkë me mua. Edhe unë, edhe ata, këtë kemi predikuar dhe këtë keni besuar edhe ju. Nëse predikojmë se Krishti u ngjall prej të vdekurve, si mund të thonë disa prej jush se të vdekurit nuk do të ngjallen? Nëse të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë edhe predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj është i kotë. Kështu, qenkemi dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmojmë kundër tij dhe themi se ka ngjallur Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, po të jetë se të vdekurit nuk u ngjallkan. Nëse nuk ngjallen të vdekurit, atëherë nuk është ngjallur as Krishti. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë besimi juaj është i kotë dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja. Atëherë kanë humbur edhe ata që kanë vdekur e kanë besuar në Krishtin. Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë. Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve. Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu. Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin. Secili sipas radhës: në fillim Krishti dhe pastaj, kur ai të kthehet, të gjithë ata që janë të tijët. Pastaj do të vijë fundi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi të ketë shkatërruar çdo sundim, pushtet e fuqi. Ai duhet të mbretërojë derisa t'i nënshtrojë nën këmbë të gjithë armiqtë. Armiku i fundit që do të shkatërrohet do të jetë vdekja. Se gjithçka e nënshtroi nën këmbët e tij. Kur u tha «iu nënshtrua gjithçka», do të thotë gjithçka, përveç Perëndisë që bëri që Krishtit t'i nënshtrohet gjithçka. Kur gjithçka t'i jetë nënshtruar Krishtit, atëherë edhe vetë Biri do t'i nënshtrohet Perëndisë që bëri t'i nënshtrohet atij gjithçka, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë. Nëse nuk është kështu, përse disa pagëzohen për të vdekurit? Nëse qenka e vërtetë se të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë përse pagëzohen disa për ta? Përse e vëmë edhe ne veten në rrezik në çdo çast? Unë ndeshem me vdekjen çdo ditë, o vëllezër, dhe këtë e them nga krenaria që kam për ju, falë Krishtit Jezu, Zotit tonë. Nëse në Efes qenkam ndeshur me bishat për arsye njerëzore, ç'dobi më solli kjo? Nëse të vdekurit nuk ngjallen, atëherë: le të hamë e le të pimë, se nesër do të vdesim. Mos u mashtroni: shoqëritë e këqija prishin doket e mira. Ejani në vete e mos mëkatoni, se disa prej jush nuk e njohin Perëndinë dhe këtë e them për turpin tuaj. Dikush do të thotë: «Si do të ngjallen të vdekurit? Çfarë trupi do të kenë?». O i marrë! Fara që mbjell në arë, nuk merr jetë po nuk vdiq më parë. Ti nuk mbjell trupin që do të ketë bima në të ardhmen, por një kokërr të zhveshur gruri ose të ndonjë fare tjetër. Pastaj trupin ia jep Perëndia, ashtu siç dëshiron, dhe çdo farë ka trupin e vet. Jo çdo trup është i njëjtë me një trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve dhe tjetër ai i peshqve. Ka trupa qiellorë, ashtu siç ka edhe trupa tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë dhe tjetër shkëlqimi i trupave tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i diellit, tjetër shkëlqimi i hënës dhe tjetër shkëlqimi i yjeve, sepse ylli nga ylli ndryshon në shkëlqim. Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje e ngjallet në moskalbje, mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi, mbillet trup tokësor e ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror. Prandaj është shkruar: njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë shpirti që jep jetë. Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas. Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli. Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët. Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor. Ja se ç'dua të them, o vëllezër: njerëzit prej mishi dhe prej gjaku nuk mund ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë e as kalbja nuk mund të trashëgojë moskalbjen. Po ju them një të fshehtë: nuk do të vdesim të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi. Në çast, sa hap e mbyll sytë, kur të bjerë trumbeta e fundit, të vdekurit do të ngjallen në moskalbje, ndërsa ne do të shndërrohemi. Sepse ky trup i kalbshëm duhet të veshë moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm duhet të veshë pavdekësinë. Kur ky trup i kalbshëm të ketë veshur moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm të ketë veshur pavdekësinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e shkruar: vdekja u përpi nga fitorja. O vdekje, ku është fitorja jote? O vdekje, ku është thumbi yt? Thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është ligji. Por le të falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren nëpërmjet Zotit tonë, Jezu Krishtit. Kështu, o vëllezër të dashur, qëndroni të fortë e të palëkundur dhe përparoni përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj për Zotin nuk do të shkojë dëm. Lidhur me mbledhjen e ndihmave për të shenjtët, veproni edhe ju ashtu siç i urdhërova kishat e Galatisë. Çdo të diel, secili të vërë mënjanë aq sa ka mundur të kursejë, që të mos bëhet mbledhja e ndihmave kur të vij unë. Kur të vij do të dërgoj me letër shoqëruese ata që keni miratuar për të çuar dhuratën tuaj në Jerusalem. Po të jetë e udhës që të shkoj edhe unë, atëherë le të vijnë me mua. Te ju do të vij pasi të kem kaluar nga Maqedonia, se dua të kaloj nga Maqedonia. Ka mundësi të qëndroj te ju, ose edhe të kaloj dimrin, që të më ndihmoni për të shkuar atje ku duhet të shkoj. Nuk dua t'ju shoh kalimthi, por shpresoj të rri ca kohë me ju, në e lejoftë Zoti. Në Efes do të qëndroj deri për Rrëshajë, sepse m'u dha një mundësi e madhe për të vepruar, megjithëse kundështarët janë të shumtë. Po të vijë Timoteu, kujdesuni që të rrijë te ju pa frikë, se edhe ai bën veprën e Zotit sikurse dhe unë. Mos ta përçmojë askush, por ndihmojeni të niset prej jush në paqe, që të vijë tek unë, sepse bashkë me vëllezërit e presim të vijë. Lidhur me vëlla Apolin, iu luta shumë që të vinte te ju bashkë me vëllezërit, por nuk donte kurrsesi të vinte tani, kështu që do të vijë kur të mundet. Rrini zgjuar, qëndroni të fortë në besim, bëhuni burra, jini të fortë! Bëni gjithçka me dashuri! Ju e njihni shtëpinë e Stefanait dhe e dini se është a para që besoi në Akai dhe se iu kushtua shërbesës për të shenjtët. Ju lutem, o vëllezër, t'u bindeni njerëzve të tillë dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë e që mundohen. Jam gëzuar shumë për ardhjen e Stefanait, Fortunatit dhe Akaikut, sepse ata plotësuan mungesën tuaj. Ata qetësuan shpirtin tim e tuajin, prandaj nderojini të tillë njerëz! Ju përshëndesin kishat e Azisë. Ju përshëndesin shumë, në emër të Zotit, Akuili e Priska, bashkë me kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre. Ju përshëndesin të gjithë vëllezërit. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time. Kush nuk do Zotin, mallkuar qoftë. Maranatha! Hiri i Zotit Jezu qoftë me ju! Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu! Unë, Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai ynë Timoteu, po i shkruajmë kishës së Perëndisë që është në Korint dhe të gjithë të shenjtëve në mbarë Akainë: hiri e paqja e Perëndisë, Atit tonë, dhe e Zotit Jezu Krisht qofshin me ju! Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë, Jezu Krishtit, Ati i mëshirës dhe Perëndia i çdo ngushëllimi! Ai na ngushëllon në të gjitha vuajtjet tona, që edhe ne të mund të ngushëllojmë ata që vuajnë, me ngushëllimin me të cilin na ngushëlloi Perëndia. Sikurse janë të shumta vuajtjet e Krishtit për ne, edhe ngushëllimi ynë është i plotë përmes Jezu Krishtit. Kur vuajmë, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj. Kur Perëndia na ngushëllon, kjo ndodh për ngushëllimin tuaj që ju forcon për të mbartur me durim të njëjtat vuajtje që po kalojmë edhe ne. Shpresa jonë për ju është e palëkundshme, sepse e dimë se, sikurse merrni pjesë në vuajtjet tona, merrni pjesë edhe në ngushëllimin tonë. Vëllezër, nuk duam që të mos jeni në dijeni për vuajtjet që kaluam në Azi, se aty gjendja jonë u rëndua përtej fuqive tona dhe aq shumë, saqë e kishim humbur edhe shpresën për të jetuar. Menduam se ishim dënuar me vdekje dhe kjo që të mos shpresonim te vetja, por te Perëndia që ngjall të vdekurit. Ai që na shpëtoi nga rreziku i vdekjes, do të vazhdojë të na shpëtojë. Tek ai shpresojmë se do të na shpëtojë, por edhe ju do të na ndihmoni me anë të lutjeve tuaja e kështu shumë vetë do të falënderojnë Perëndinë për ne. Ne krenohemi e për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja jonë, se kemi jetuar në botë, e veçanërisht mes jush, me thjeshtësi dhe me sinqeritetin që vjen nga Perëndia, të udhëhequr nga hiri i tij e jo nga urtia njerëzore. Nuk po ju shkruajmë gjë tjetër, përveç asaj që lexoni e kuptoni. Unë shpresoj se deri në fund do ta kuptoni plotësisht, sikurse deri diku na keni kuptuar edhe ne, se në Ditën e Zotit Jezu ne do të krenohemi me ju dhe ju do të krenoheni me ne. Me këtë bindje desha të vija së pari te ju, që të gëzoheshit dyfish. Doja të kaloja nga ju për të shkuar në Maqedoni e nga Maqedonia të kthehesha përsëri te ju, që të më përcillnit për në Jude. Kur vendosa të bëja kështu, mos vallë po veproja me mendjelehtësi? Mos vallë i marr vendimet sipas gjykimeve njerëzore, që të them «po» e «jo» njëherësh? Perëndia dëshmon se fjala jonë për ju nuk ka qenë «po» e «jo» njëherësh, se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që e shpallëm mes jush unë, Silvani e Timoteu, nuk ishte «po» e «jo» njëherësh. Përkundrazi ai u bë «po-ja» e Perëndisë. Përmes Jezuit merr «po» çdo premtim i Perëndisë, prandaj përmes tij ne lavdërojmë Perëndinë duke i thënë «Amen». Është vetë Perëndia ai që na forcon bashkë me ju në jetën me Krishtin, ai që na vajos, dhe ai që na ka vulosur duke vënë Shpirtin e tij në zemrat tona si kapar. Por për këtë thërras Perëndinë si dëshmitar për shpirtin tim: unë nuk u ktheva në Korint, se nuk doja t'ju bëhesha barrë. Nuk duam të sillemi si zotër të besimit tuaj, por si bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj, meqenëse qëndroni të fortë në besim. Kështu vendosa të mos kthehem te ju, që të mos trishtoheni përsëri. Nëse unë ju trishtoj, nga kush pres të marr gëzim, nga ata që kam trishtuar? Ju shkrova kështu me qëllim që, kur të vija, të mos trishtohesha nga ata që duhej të më gëzonin. Unë jam i bindur se, kur gëzohem unë, gëzoheni edhe ju të gjithë. Ju shkrova me pikëllim të madh, me ankth në zemër e me lot, jo për t'ju trishtuar, por që të njihni dashurinë e madhe që kam për ju. Nëse dikush ka trishtuar dikë, nuk më ka trishtuar mua, por deri diku, pa e tepruar, të gjithë ju. Këtij njeriu i mjafton dënimi që mori nga shumica, prandaj ju, përkundrazi, duhet ta falni e ta ngushëlloni, që të mos e pushtojë një trishtim më i madh. Kështu, ju porosis që të tregoni dashuri ndaj tij. Prandaj ju shkrova, që t'ju vija në provë e të shihja a bindeni në gjithçka. Atij që do t'i falni ndonjë faj, ia fal edhe unë. Prandaj edhe unë, kur kam falur ndonjë faj, nëse më është dashur të fal, këtë e kam bërë për ju para Krishtit, që të mos dalë i fituar Satani. Ne i njohim mirë synimet e tij. Kur arrita në Troadë për të shpallur ungjillin e Krishtit, megjithëse Zoti më hapi një derë për të predikuar, nuk kisha prehje në shpirt, se nuk gjeta aty Titin, vëllanë tim. Atëherë u ndava prej tyre dhe shkova në Maqedoni. Por i qofsha falë Perëndisë që na bën gjithmonë ngadhënjimtarë përmes Krishtit dhe që, përmes nesh, përhap njohjen e Krishtit si aromë të këndshme në çdo vend. Ne jemi aroma e këndshme e Krishtit, që i kushtohet Perëndisë dhe përhapet ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që shkojnë në humbje. Për këta të fundit është aromë vdekjeje dhe çon në vdekje, ndërsa për të tjerët është aromë jete dhe çon në jetë. Kush është i aftë ta përmbushë këtë detyrë? Ne nuk jemi si shumë të tjerë që bëjnë tregti me fjalën e Perëndisë, por flasim me sinqeritet para Perëndisë, si të dërguar prej tij përmes Krishtit. A mos po fillojmë përsëri t'i rrisim vlerën vetes? Apo mos kemi nevojë edhe ne si disa për letra porosie për ju a prej jush? Letra jonë jeni ju, e shkruar në zemrat tona, që të gjithë njerëzit ta njohin e ta lexojnë. Ju e tregoni se jeni letër e Krishtit, e hartuar prej nesh, jo e shkruar me bojë, por me shpirtin e Perëndisë së gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasat e zemrave njerëzore. Ky është besimi që ne kemi në Perëndinë, përmes Krishtit. Ne nuk e mbajmë veten aq të aftë që të mendojmë se vjen ndonjë gjë prej nesh. Aftësia jonë vjen prej Perëndisë që na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit. Sepse shkronja vret, por Shpirti jep jetë. Nëse besëlidhja e Moisiut, që ishte e gdhendur me shkronja në gur e çonte në vdekje, ishte aq e lavdishme saqë bijtë e Izraelit nuk mund ta shikonin dot Moisiun, për shkak të lavdisë së përkohshme të fytyrës së tij, sa më e lavdishme do të jetë besëlidhja e Shpirtit? Nëse vepra e besëlidhjes që sjell dënimin ishte e rrethuar me lavdi, aq më shumë do të jetë e lavdishme vepra e besëlidhjes që na bën të drejtë. Në të vërtetë ajo që ishte e lavdishme dikur, e humbi lavdinë për shkak të lavdisë së tanishme që është më e madhe. Nëse ajo që ishte e përkohshme ishte e lavdishme, atëherë ajo që mbetet përgjithmonë do të jetë shumë më e lavdishme. Meqenëse kemi një shpresë të tillë, mund të flasim hapur, jo si Moisiu që vuri një vel në fytyrë, me qëllim që bijtë e Izraelit të mos e shihnin fundin e lavdisë që po perëndonte. Por mendjet e tyre u errësuan. Edhe sot e kësaj dite ata e kanë atë vel kur lexojnë besëlidhjen e vjetër dhe nuk e heqin, sepse ai hiqet vetëm nëpërmjet Krishtit. Madje, dhe deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel ndehet në zemrat e tyre. Megjithatë, kur dikush kthehet drejt Zotit, bie veli. Mirëpo Zoti është Shpirti dhe ku është Shpirti i Zotit, atje është liria. Prandaj të gjithë ne që e shohim lavdinë e Zotit si në pasqyrë, pa pasur vel në fytyrë, shndërrohemi në shëmbëllimin e tij nga lavdia në lavdi. Dhe kjo vjen nga Zoti që është Shpirti. Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimit të njerëzve e para Perëndisë. Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje. Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit. Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh. Megjithëse na mundojnë nga çdo anë, nuk ligështohemi. Jemi të pështjelluar, por nuk dëshpërohemi. Na përndjekin, por Perëndia nuk na braktis. Na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund. Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë. Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm. Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën. Por ne kemi të njëjtin shpirt të besimit, sikurse është shkruar: besova, prandaj fola. Edhe ne besojmë, prandaj flasim, sepse e dimë se ai që e ngjalli Zotin Jezu, do të na ngjallë edhe ne me Jezuin e bashkë me ju do të na paraqesë para vetes. Gjithçka bëhet për ju, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pranojnë hirin e Perëndisë dhe ta falënderojnë gjithnjë e më shumë atë e t'i japin lavdi. Prandaj nuk ligështohemi. Megjithëse së jashtmi shkojmë drejt kalbjes, nga brenda përtërihemi dita-ditës. Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar. Ne nuk jemi përqendruar te gjërat që duken, por tek ato që nuk duken, sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, ndërsa të padukshmet janë të amshuara. Ne e dimë se tenda në të cilën banojmë, domethënë trupi ynë tokësor, do të shkatërrohet, por ne kemi në qiej një tjetër banesë të amshuar, të ndërtuar nga Perëndia e jo nga duar njerëzore. Në këtë banesë njerëzore ne rënkojmë ndërsa presim me padurim të veshim banesën tonë qiellore. Kur të kemi zhveshur banesën tokësore, nuk do të jemi lakuriq. Ndërsa jemi ende në këtë tendë, rënkojmë nën peshën e saj, jo se duam të zhvishemi prej saj, por se duam të veshim banesën e re, në mënyrë që ajo që është e vdekshme, të përpihet nga jeta. Ai që na ka përgatitur për këtë gjë, është Perëndia. Ai na ka dhënë Shpirtin si kapar. Ne kemi marrë zemër dhe e dimë se, për sa kohë banojmë në këtë trup, banojmë larg nga Zoti, sepse jetojmë përmes besimit dhe jo përmes asaj që shohim. Ne kemi shpresë dhe parapëlqejmë të largohemi nga ky trup për të banuar pranë Zotit. Por, mbi të gjitha ne duam t'i pëlqejmë Perëndisë, qoftë duke qëndruar në këtë banesë, qoftë duke e lënë atë. Të gjithë ne duhet të dalim para Krishtit për t'u gjykuar prej tij, në mënyrë që secili të marrë shpërblimin sipas veprave që ka bërë gjatë jetës së vet, qofshin këto të mira apo të këqija. Prandaj ne që e njohim frikën ndaj Zotit, përpiqemi të bindim të tjerët. Perëndia na njeh mirë, por shpresoj që thellë në ndërgjegjet tuaja edhe ju të na njihni mirë. Nuk duam të lavdërohemi edhe një herë para jush, por po ju japim rastin të krenoheni me ne, që të mund t'u përgjigjeni atyre që mburren me pamjen e jashtme e jo me çfarë kanë në zemër. Nëse sillemi si të marrë, këtë e bëjmë për Perëndinë dhe nëse sillemi me urti, këtë e bëjmë për ju. Dashuria e Krishtit na jep zemër, sepse jemi të bindur se njëri ka vdekur për të gjithë dhe si pasojë të gjithë kanë vdekur. Krishti vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten e tyre, por të jetojnë për atë që vdiq e u ngjall për ta. Prandaj ne nuk shohim më askënd vetëm në mënyrë njerëzore. Edhe pse dikur e njihnim Krishtin në këtë mënyrë, tani nuk e njohim më ashtu. Kështu, kush bashkohet me Krishtin, bëhet një krijesë e re. Gjërat e vjetra shkuan dhe, ja, u bënë të reja. E gjithë kjo vjen prej Perëndisë, i cili na pajtoi me veten e tij përmes Krishtit dhe na ngarkoi me shërbesën për të pajtuar njerëzit me të. Perëndia e pajtoi botën me veten e tij përmes Krishtit duke mos ua marrë parasysh njerëzve paudhësitë dhe duke na besuar predikimin e pajtimit. Kështu ne jemi përfaqësues të Krishtit dhe kur ju flasim ne, është si t'ju fliste Perëndia. Ju përgjërohemi që për hir të Krishtit të pajtoheni me Perëndinë. Atë që nuk njihte mëkat, Perëndia e ngarkoi me mëkatet tona, në mënyrë që përmes tij Perëndia të na bëjë të drejtë. Ne jemi bashkëpunëtorë të tij, prandaj ju porosisim që të mos shkojë kot hiri i Perëndisë që keni marrë. Ai thotë: të dëgjova në kohën e volitshme, të ndihmova në ditën e shpëtimit. Ja, tani është koha e volitshme; ja, tani është dita e shpëtimit! Ne nuk vëmë pengesa në udhën e askujt, që të mos e njollosim shërbesën tonë; përkundrazi, ne tregojmë se në çdo rrethanë jemi shërbëtorë të Perëndisë kur durojmë shumë mundime, kur jemi të pikëlluar, në nevojë, në vështirësi, kur na rrahin, kur na burgosin, kur ngrihen kundër nesh, kur na mundojnë, kur jemi pa gjumë, kur agjërojmë, me dëlirësinë tonë, me dijen tonë, me zemërgjerësinë, me mirësinë, me Shpirtin e shenjtë, me dashurinë e sinqertë, me predikimin e së vërtetës dhe me fuqinë e Perëndisë. Në të djathtë e në të majtë mbajmë armët e drejtësisë, edhe kur na nderojnë, edhe kur na përçmojnë; edhe kur na shajnë, edhe kur na lavdërojnë. Na mbajnë për gënjeshtarë, por ne themi të vërtetën; na trajtojnë si të panjohur, por në të vërtetë të gjithë na njohin mirë; na shohin si të ishim duke vdekur, por ja ku jemi gjallë; na ndëshkojnë, por nuk na vrasin dot; na brengosin, por ne kemi gjithmonë gëzim; jemi të varfër, por bëjmë të pasur shumë veta; nuk kemi asgjë, por në të vërtetë kemi gjithçka. Ne kemi folur hapur me ju, o korintas, dhe zemra jonë është e hapur për ju. Ne nuk e mbyllëm zemrën tonë për ju, por ju e mbyllët zemrën tuaj ndaj nesh. Po ju drejtohem si bijve të mi: veproni edhe ju si ne dhe hapini zemrat tuaja për ne! Mos u vini nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Çfarë ka të përbashkët drejtësia me paudhësinë? Çfarë ka të përbashkët drita me errësirën? Ku takohen Krishti me Beliarin? Ose, çfarë mund të ndajnë me njëri-tjetrin një besimtar dhe një jobesimtar? Çfarë ka të përbashkët tempulli i Perëndisë me idhujt? Ne jemi tempull i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: do të banoj mes tyre e do të jetoj me ta. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. Prandaj dilni e ndahuni prej tyre, thotë Zoti. Mos prekni asgjë të ndyrë, e atëherë do t'ju pranoj. Unë do të jem Ati juaj e ju do të jeni bijtë e mi e bijat e mia,, thotë Zoti i gjithëpushtetshëm. Fort të dashur, meqë kemi marrë këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndyrësi e trupit dhe e shpirtit dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë duke iu druajtur Perëndisë. Bëni vend për ne në zemrat tuaja. Ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi dëmtuar askënd dhe nuk kemi shfrytëzuar askënd. Këtë gjë nuk e them për t'ju dënuar, sepse, siç ju kam thënë edhe më parë, ju jeni në zemrat tona dhe ne jemi të bashkuar me ju si në vdekje, edhe në jetë. Unë flas hapur me ju dhe krenohem shumë me ju. Megjithëse kam shumë mundime, gjej shumë ngushëllim e mbushem plot me gëzim. Edhe kur shkuam në Maqedoni, nuk na gjeti trupi prehje, hasëm vështirësi nga të gjitha anët, luftë jashtë e frikë përbrenda. Por Perëndia që i ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit, dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që kishte marrë prej jush. Ai na tregoi për mallin, për lotët dhe për dashurinë tuaj të zjarrtë për mua, prandaj u gëzova edhe më shumë. Edhe nëse ju kam trishtuar me letrën time, tani nuk më vjen keq. Megjithëse në fillim më erdhi keq, sepse ajo letër ju trishtoi për ca kohë, tani gëzohem jo se u trishtuat, por sepse ky trishtim, që e kaluat sipas vullnetit të Perëndisë, ju çoi në pendim. Kështu, ne nuk ju bëmë asnjë dëm. Trishtimi që kalojmë sipas vullnetit të Perëndisë të çon në pendimin që sjell shpëtim, për të cilin njeriu nuk ndërron mendje. Përkundrazi, trishtimi që vjen nga shqetësimet e kësaj bote, të çon në vdekje. Shikoni çfarë përkushtimi solli te ju trishtimi sipas vullnetit të Perëndisë! Ju solli dëshirën për të mbrojtur besimin tuaj, zemërimin ndaj së keqes, druajtjen, përmallimin, zellin dhe gatishmërinë për të ndëshkuar të keqen! E keni dëshmuar në të gjitha mënyrat se jeni të pastër në këto gjëra. Edhe pse ju shkrova, nuk ju shkrova që të ndëshkoj atë që bëri padrejtësi e as për t'i dalë në mbrojtje atij që iu bë padrejtësi, por që të duket qartë mes jush përkushtimi që keni ndaj nesh, para Perëndisë. Kjo gjë na ngushëllon. Përveç ngushëllimit që na dhatë, u gëzuam edhe më shumë me gëzimin e Titit, sepse të gjithë ju ia qetësuat shpirtin. Unë u krenova me ju para Titit dhe nuk kam mbetur i zhgënjyer për këtë, por, ashtu siç është e vërtetë gjithçka që ju kemi thënë, ashtu doli e vërtetë para Titit edhe krenaria që kemi për ju. Atij i bëhet zemra mal kur i kujtohet bindja e ju të gjithëve dhe kur i kujtohet sesi e pritët me druajtje e drithërim. Jam i gëzuar, se mund të mbështetem te ju për gjithçka. Vëllezër, dëshirojmë t'ju tregojmë për hirin e Perëndisë që u është dhuruar kishave të Maqedonisë. Në provën e vështirë të vuajtjeve, gëzimi i tyre qe kaq i madh, saqë u bënë shumë zemërgjerë, edhe pse ishin të varfër. Unë dëshmoj se ata dhanë me dëshirë, sipas mundësive, madje përtej mundësive të tyre. Ata na u lutën me këmbëngulje t'u jepnim nderin për të marrë pjesë në dërgimin e ndihmave në dobi të të shenjtëve. Ata jo vetëm dhuruan më shumë sesa shpresonim, por ia kushtuan veten së pari Zotit dhe pastaj neve, sipas vullnetit të Perëndisë. Kështu, ne i kërkuam Titit që, ashtu siç e kishte filluar tashmë, t'ju ndihmonte ta çonit deri në fund këtë vepër. Tani që jeni të begatë në gjithçka: në besim, në fjalë, në dije e në përkushtim të plotë, dhe tani që gëzoni dashurinë tonë, dëshirojmë të jeni të begatë edhe në këtë vepër. Këtë nuk po e them si urdhër, por, duke ju treguar përkushtimin e të tjerëve, po vë në provë sinqeritetin e dashurisë suaj. Ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili edhe pse i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheshit të pasur me varfërinë e tij. Për këtë gjë po ju jap një mendim: është në dobinë tuaj që atë që filluat të bëni vitin e shkuar, jo vetëm ta bëni, por edhe të dëshironi ta bëni. Tani çojeni deri në fund atë që keni filluar të bëni. Ashtu siç patët dëshirën për ta filluar, ashtu edhe përfundojeni, sipas mundësive që keni. Sepse, aty ku ka vullnet të mirë, Perëndia pranon sipas asaj që njeriu ka dhe jo sipas asaj që njeriu nuk ka. Këtë nuk e them që të tjerët të lehtësohen e ju të futeni në vështirësi, por e them për hir të barazisë. Tani ju keni mjaftueshëm dhe mund të ndihmoni ata që janë në nevojë, kështu që edhe ata t'ju ndihmojnë kur të kenë mjaftueshëm e kur ju të jeni në nevojë, që të ketë barazi, siç është shkruar: asgjë nuk i teproi atij që kishte shumë, asgjë nuk i mungoi atij që kishte pak. Lavdi i qoftë Perëndisë që të njëjtin përkushtim që kam unë për ju, e vuri edhe në zemrën e Titit. Ai jo vetëm që e pranoi kërkesën tonë, por, duke qenë edhe më i përkushtuar, vendosi vetë të vijë te ju. Bashkë me të po dërgojmë edhe vëllanë që e lavdërojnë të gjitha kishat për shërbimin që i ka bërë ungjillit. Përveç kësaj, ai është caktuar nga kishat që të na shoqërojë për ta çuar deri në fund veprën e ndihmës suaj për lavdinë e Zotit dhe për të treguar vullnetin tonë të mirë, duke shmangur kështu çdo fajësim që mund të na bëhej në lidhje me përkujdesjen për këtë dhuratë të madhe, sepse dëshirojmë të bëjmë çfarë është e drejtë jo vetëm në sytë e Zotit, por edhe në sytë e njerëzve. Bashkë me ta po ju dërgojmë edhe vëllanë tonë, të cilin e kemi vënë në provë shpesh dhe e kemi parë se është i përkushtuar në shumë gjëra, por që tani është më i përkushtuar se kurrë për shkak të besimit të madh që ka te ju. Për sa i përket Titit, ai është shoku dhe bashkëpunëtori im për ju. Për sa u përket vëllezërve tanë, ata janë apostujt e kishave dhe lavdia e Krishtit. Për këtë arsye tregojuni atyre hapur para kishave provën e dashurisë suaj dhe të arsyes që kemi për t'u krenuar me ju. Është e tepërt t'ju shkruaj për shërbesën e ndihmës për të shenjtët, sepse e njoh vullnetin tuaj të mirë, për të cilin krenohem para maqedonasve duke thënë: «Akaia u bë gati që vitin e shkuar». Zelli juaj ka vënë në lëvizje shumicën e tyre. Megjithatë po ju dërgoj vëllezërit që të vërtetohet se në këtë rast mburrja jonë me ju nuk ka qenë e kotë dhe që ju të jeni gati, sikurse kam thënë se jeni. Përndryshe, nëse vijnë me mua disa maqedonas dhe shohin se nuk jeni gati, ne do të dilnim të turpëruar që u krenuam me ju, për të mos thënë pastaj sesa të turpëruar do të dilnit ju. Prandaj m'u duk e nevojshme t'u kërkoja vëllezërve që të vinin më parë te ju për të bërë gati dhuratën që keni premtuar, në mënyrë që ajo të jetë gati si dhuratë zemërgjerësie e jo kopracie. Sepse, kush mbjell me kursim, do të korrë pak dhe kush mbjell me zemërgjerësi, do të korrë me begati. Secili nga ju le të japë sa t'i dojë zemra, jo me keqardhje e as me detyrim, se Perëndia e do atë që jep me gëzim. Perëndia mund t'ju japë me begati çdo të mirë, në mënyrë që gjithmonë të keni mjaftueshëm prej çdo gjëje e kështu të mund të jepni për çdo vepër të mirë. Sikurse është shkruar: ai shpërndan me zemërgjerësi, u jep të varfërve, drejtësia e tij qëndron në amshim. Ai që i jep farën mbjellësit dhe bukën për të ngrënë, do t'jua japë edhe juve farën për ta mbjellë dhe do ta shumojë. Ai do t'i shumojë frytet e drejtësisë suaj. Ju do të pasuroheni në gjithçka, që të mund të jeni zemërgjerë, dhe shumë veta do të falënderojnë Perëndinë përmes nesh. Kjo shërbesë ndihme jo vetëm që plotëson nevojat e të shenjtëve, por bën edhe që të burojnë shumë falënderime për Perëndinë. Kur të shohin shërbesën tuaj të ndihmës, ata do të përlëvdojnë Perëndinë për bindjen tuaj ndaj ungjillit të Krishtit e për zemërgjerësinë që tregoni ndaj tyre dhe ndaj gjithë të tjerëve. Dhe ata do të luten për ju e do të tregojnë shumë dashuri ndaj jush për shkak të hirit të pashoq që ju dha Perëndia. I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e tij të patregueshme! Vetë unë, Pali, që qenkam i përulur kur gjendem përballë jush, por i guximshëm kur jam larg jush, ju bëj thirrje me butësinë e mirësinë e Krishtit dhe ju përgjëroj që kur të vij te ju, të mos më duhet të tregohem i guximshëm, kur të kundërshtoj me vendosmëri ata që mendojnë se ne veprojmë sipas dobësisë njerëzore. Megjithëse jemi njerëz, ne nuk luftojmë për gjërat njerëzore, sepse armët e luftës sonë nuk janë njerëzore, por kanë fuqinë e Perëndisë, me të cilën mund të shkatërrojmë fortesat. Ne shembim çdo arsyetim e çdo pengesë që ngrihen kundër njohjes së Perëndisë dhe çdo mendim e nënshtrojmë për t'iu bindur Krishtit. Kur të jetë përsosur bindja juaj, ne do të jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje. Shikojini gjërat siç janë. Nëse dikush është i bindur se është i Krishtit, le ta mendojë edhe një herë këtë gjë, sepse sikurse ai është i Krishtit, ashtu jemi edhe ne. Edhe pse krenohem shumë me pushtetin që Zoti na e dha për t'ju ndihmuar të rriteni në besim e jo për t'ju shkatërruar, nuk ka pse të më vijë turp. Nuk dua të jap përshtypjen se kërkoj t'ju tremb me letrat e mia. Disa thonë: «Letrat e tij janë të ashpra e të forta, ndërsa kur është i pranishëm vetë, është i dobët dhe fjalët e tij lënë për të dëshiruar». Ai që mendon kështu, ta dijë mirë se, edhe kur të vijmë atje, do të jemi po ata që kemi shkruar këtë letër kur ishim larg jush. Ne nuk guxojmë të renditemi apo të krahasohemi me ata që lavdërojnë veten. Por ata janë të marrë kur marrin veten e tyre si masë për t'u krahasuar me njëri-tjetrin. Ndërsa ne nuk do të krenohemi tej mase, por do të krenohemi brenda fushës së veprimit që na ka caktuar Perëndia e që na ka sjellë deri te ju. Nuk do të krenoheshim kaq shumë, po të mos kishim ardhur te ju. Por ne kemi ardhur të parët për t'ju predikuar ungjillin e Krishtit. Ne nuk krenohemi tej mase me mundin e të tjerëve, por shpresojmë se, duke u rritur besimi juaj, do të zgjerohet shumë edhe fusha jonë e veprimit, që të mund ta shpallim ungjillin edhe më tej, pa u krenuar me punën e bërë në fushën e veprimit të dikujt tjetër. Kush krenohet, të krenohet në Zotin. Në të vërtetë, i sprovuar është ai që e lavdëron Zoti e jo ai që lavdëron veten. Ah, sikur ta duronit pak marrëzi nga ana ime. Më duroni, pra! Ndiej për ju një zili që vjen prej Perëndisë. Ju fejova me një burrë të vetëm dhe ju paraqita te Krishti si një virgjëreshë të pastër. Por kam frikë se, sikurse e mashtroi gjarpri Evën me dinakërinë e tij, edhe mendimet tuaja do të shmangen nga përkushtimi i çiltër dhe i pastër ndaj Krishtit. Në të vërtetë, nëse vjen dikush dhe ju predikon një tjetër Jezu nga ai që ju predikuam ne, nëse merrni një tjetër shpirt nga ai që morët apo një ungjill të ndryshëm nga ai që pranuat, ju e duroni me dëshirë. Unë mendoj se nuk jam aspak më i vogël se këta kryeapostuj. Edhe po të isha më i dobët në gojëtari, nuk jam në dije dhe këtë gjë jua kemi bërë të ditur në çdo mënyrë e në gjithçka. A mos bëra mëkat se përula veten që të lartësoheshit ju duke ju predikuar falas ungjillin e Perëndisë? Kam marrë nga kishat e tjera çfarë më duhej për të jetuar dhe u kam hyrë në pjesë për t'ju shërbyer juve. Kur isha te ju e kur isha në nevojë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse m'i plotësuan nevojat vëllezërit nga Maqedonia. Kështu jam ruajtur e do të ruhem që të mos ju bëhem barrë. Për të vërtetën e Krishtit, që është në mua, mburrja ime nuk do të heshtë në krahinën e Akaisë. E pse? Se nuk ju dua? Perëndia e di se ju dua. Atë që po bëj do të vazhdoj ta bëj, që t'ua heq mundësinë atyre që e dëshirojnë një mundësi për t'u njohur si të barabartë me ne në gjërat për të cilat mburren. Këta janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që hiqen si apostuj të Krishtit. E mos u çuditni! Edhe Satani hiqet si engjëll drite. Prandaj nuk është gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij hiqen si shërbëtorë të drejtësisë. Siç kanë veprat, ashtu edhe do të përfundojnë. Po e përsëris: të mos mendojë askush se jam i marrë! Por, nëse mendoni kështu, atëherë më pranoni si të marrë, që të krenohem pak edhe unë. Atë që po them tani nuk po e them sipas Zotit, por si të isha një i marrë që mendon se mund të krenohet. Meqenëse shumë veta krenohen me gjëra njerëzore, atëherë do të krenohem edhe unë, sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtësisht të marrët. Nëse dikush ju trajton si skllevër, ju shfrytëzon, ju plaçkit, ju përçmon, ju qëllon në fytyrë, ju e duroni. Më vjen turp të them se kemi qenë tepër të dobët, por, nëse dikush merr guximin të krenohet me ndonjë gjë, po flas si të isha i marrë, atëherë do të guxoja edhe unë. A janë ata hebrenj? Edhe unë jam. Janë izraelitë? Edhe unë jam. Janë pasardhës të Abrahamit? Edhe unë jam. Janë shërbëtorë të Krishtit? Po flas si të isha i çmendur: unë jam edhe më shumë. Kam kaluar më shumë mundime se ata, më kanë burgosur më shumë se ata, kam vuajtur fshikullima të panumërta e shpesh kam qenë në rrezik për vdekje. Judenjtë më rrahën pesë herë me nga tridhjetë e nëntë fshikuj. Tri herë më kanë rrahur me shkop. Një herë më kanë goditur me gurë, tri herë më është mbytur anija e për një natë e një ditë jam endur nëpër det. Kam udhëtuar shumë në këmbë, kam përjetuar rreziqe nga lumenjtë, rreziqe nga kusarët, rreziqe nga bashkëkombësit, rreziqe nga kombet, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det dhe rreziqe nga vëllezërit e rremë. Kam kaluar mundime e vështirësi, shumë net pa gjumë, i uritur e i etur, shpesh pa ushqim, në të ftohtë e i zhveshur. Përveç këtyre më mundonte çdo ditë përkujdesja për të gjitha kishat. Nëse dikush është i dobët, atëherë edhe unë bëhem i dobët. Nëse dikush bie, atëherë vuaj edhe unë. Nëse duhet të krenohem, krenohem me dobësitë e mia. Perëndia dhe Ati i Zotit Jezu, që është i bekuar në amshim, e di se nuk gënjej. Kur isha në Damask, qeveritari i mbretit Aret, vuri roja në gjithë qytetin e Damaskut për të më kapur, por më zbritën me një kosh nga një dritare në mur dhe u ika nga duart. Megjithëse nuk është mirë të krenohem, duhet ta bëj dhe prandaj do t'ju flas për vegimet dhe zbulesat që më ka dhënë Zoti. Njoh një njeri, që beson në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh u mor në qiellin e tretë, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di. Di edhe se ky njeri, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di, u mor në parajsë dhe dëgjoi fjalë të pashprehshme dhe që nuk mund t'i thotë asnjeri. Me këtë njeri do të krenohem e jo me veten time. Unë do të krenohem vetëm me dobësitë e mia. Edhe po të dëshiroja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha të vërtetën. Por nuk po e bëj këtë, që askush të mos më vlerësojë më tepër nga ç'dukem e nga ç'them, edhe pse zbulesat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, që të mos mbahem me të madh, m'u dha një gjemb në trup, një engjëll i Satanit, që të më torturonte për të mos m'u rritur mendja. Tri herë iu luta Zotit të më çlironte nga kjo torturë, por ai m'u përgjigj: «Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime tregohet e plotë në dobësinë tënde». Prandaj do të krenohem edhe më shumë me dobësitë e mia, që të banojë tek unë fuqia e Krishtit. Prandaj gëzohem, edhe kur jam i dobët, edhe kur më shajnë, edhe kur jam në nevojë, edhe kur më përndjekin, edhe kur jam në vështirësi për shkak të Krishtit. Në të vërtetë, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë. U bëra i marrë, por më detyruat ju. Ju duhej të më kishit lavdëruar, se, edhe pse nuk jam asgjë, nuk jam aspak më i vogël se ata që e mbajnë veten mbi apostujt. Unë jam apostull i vërtetë dhe këtë e tregojnë mrekullitë, shenjat dhe veprat e fuqishme që kam kryer para jush me shumë durim. Në çfarë gjëje u latë pas kishave të tjera? Mos ndoshta ngaqë unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi. Ja, jam gati të vij te ju për të tretën herë e nuk do t'ju bëhem barrë, sepse nuk kërkoj gjërat tuaja, por ju kërkoj ju. Nuk janë fëmijët ata që duhet të mbledhin thesar për prindërit, por prindërit për fëmijët. Me gëzim të madh do të shpenzoj e do të shpenzohem krejtësisht për ju. Megjithëse unë ju dua më shumë, ju më doni më pak. Unë nuk ju jam bërë barrë, por e zëmë se unë paskam qenë dinak e ju paskam mashtruar me dredhi. A mos ju kam shfrytëzuar me anë të atyre që kam dërguar te ju? Iu luta Titit që të vinte dhe dërgova me të edhe vëllanë që ju e njihni. Titi nuk ju ka shfrytëzuar, apo jo? A nuk jemi sjellë edhe ne në të njëjtin shpirt? A nuk kemi ecur në të njëjtat gjurmë? A mos keni menduar deri tani se po përpiqemi të mbrojmë veten para jush? Ne flasim para Perëndisë, të mbështetur në Krishtin dhe gjithçka që bëjmë, fort të dashur, është për rritjen tuaj. Kam frikë se, kur të vij, nuk do t'ju gjej siç dëshiroj e nuk do të më gjeni siç dëshironi. Kam frikë se mes jush do të gjej grindje, smirë, zemërime, sedër të sëmurë, thashetheme, murmuritje, mendjemadhësi e rrëmujë. Kam frikë se kur të vij përsëri, Perëndia im do të më përulë para jush e se do të mbaj zi për shumë veta që kanë mëkatuar dikur e nuk janë penduar për ndyrësinë, kurvërinë e fëlligështinë e tyre. Është hera e tretë që do të vij te ju, se çdo padi duhet të jetë e mbështetur në fjalën e dy apo tre dëshmitarëve. Ata që kanë mëkatuar dikur dhe të gjithë të tjerët i kisha paralajmëruar kur isha me ju për herë të dytë dhe po i paralajmëroj edhe tani që nuk jam aty, se nëse vij përsëri nuk do të kursej askënd. Me sa duket ju kërkoni një provë që Krishti flet përmes meje. Dijeni, pra, se Krishti nuk u tregua i dobët mes jush, por i fuqishëm. Vërtet ai u kryqëzua për shkak të dobësisë, por jeton prej fuqisë së Perëndisë. Ne jemi të dobët bashkë me të, por prej fuqisë së Perëndisë do të jetojmë bashkë me të, mes jush. Shqyrtojeni veten për të parë nëse po jetoni me besim. Vëreni veten në provë. A nuk e kuptoni se në ju jeton Jezu Krishti? Nëse nuk e kuptoni këtë, atëherë nuk e keni kaluar provën. Shpresoj se do ta merrni vesh se ne e kemi kaluar provën. Megjithatë ne i lutemi Perëndisë që të mos bëni asnjë të keqe, jo që të duket se ne e kaluam provën, por që ju të bëni çfarë është e drejtë, edhe pse mund të duket se ne dështuam. Ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër së vërtetës, por vetëm për të vërtetën. Ne gëzohemi kur ne jemi të dobët e ju jeni të fortë dhe lutemi që ju të përsoseni. Këto gjëra po i shkruaj ndërsa jam larg, që, kur të vij, të mos më duhet të jem i rreptë dhe pushtetin që më ka dhënë Zoti ta përdor për të ndërtuar e jo për të shkatërruar. Së fundi, vëllezër, gëzohuni, ndrequni, ngushëlloni njëri-tjetrin, jini të një mendjeje, jetoni në paqe dhe Perëndia i dashurisë e i paqes qoftë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia me Shpirtin e shenjtë qofshin me ju të gjithë! Unë, Pali, që nuk u bëra apostull prej njerëzve, as prej ndonjë njeriu, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli prej të vdekurve, së bashku me të gjithë vëllezërit që janë me mua, po u shkruaj kishave të Galatisë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krisht! Ai u flijua për mëkatet tona, që të na çlironte nga kjo botë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë. Atij i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen! Çuditem sa shpejt po largoheni nga Perëndia, që ju thirri në hirin e Krishtit, e po shkoni drejt një ungjilli tjetër. Ungjill tjetër nuk ka, por ka vetëm disa njerëz që ju turbullojnë e duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit. Por, edhe sikur dikush nga ne apo një engjëll nga qielli t'ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar ne, qoftë mallkuar. Çfarë ju kemi thënë më parë, po jua them edhe tani: kush t'ju predikojë një ungjill të ndryshëm nga ai që keni pranuar, qoftë mallkuar. A mos po kërkoj të marr pëlqimin e njerëzve a të Perëndisë? Apo po kërkoj t'u pëlqej njerëzve? Po të kërkoja t'u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit. Po ju vë në dijeni, o vëllezër, se ungjilli që ju shpalla nuk vjen nga njerëzit. As e mora e as e mësova nga ndonjë njeri, por përmes zbulesës së Jezu Krishtit. Ju keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme në judaizëm, me sa zell e përndiqja kishën e Perëndisë e përpiqesha ta shkatërroja. Në judaizëm unë ua kalova shumë prej bashkëmoshatarëve të kombit tim dhe isha tepër i zellshëm ndaj traditave të etërve të mi. Por, kur Perëndisë, që më ndau veç që në barkun e nënës e më thirri përmes hirit të tij, i pëlqeu të më zbulojë Birin e vet për ta kumtuar ndër kombet, unë menjëherë, pa u këshilluar me njeri e pa shkuar në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask. Vetëm tre vjet më vonë shkova në Jerusalem për të takuar Kefën dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë, por nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë përveç Jakobit, vëllait të Zotit. Këto gjëra po i shkruaj para Perëndisë e nuk gënjej. Pastaj shkova në krahinat e Sirisë e të Kilikisë, por kishat e Judesë, që besojnë në Krishtin, nuk më njihnin nga afër. E vetmja gjë që kishin dëgjuar është kjo: «Ai që më parë na përndiqte, tani shpall besimin që dikur përpiqej ta shkatërronte». Ata përlëvdonin Perëndinë për mua. Pas katërmbëdhjetë vjetësh shkova sërish në Jerusalem me Barnabën e mora me vete edhe Titin. Shkova se kështu më tha Perëndia në një zbulesë dhe u shtjellova ungjillin që predikoj ndër kombet, veçanërisht njerëzve më të shquar, që të mos shkonte kot mundi që kam bërë e po bëj për ju. Edhe Titi, që ishte me mua, megjithëse helen, nuk u detyrua të rrethpritej, pavarësisht vëllezërve të rremë e tinëzarë që kishin hyrë vjedhurazi për të përgjuar lirinë, që kemi përmes Krishtit Jezu, e për të na robëruar. Ne nuk iu nënshtruam këtyre as për një çast, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju. Ata që e mbanin veten si më të rëndësishëm, e unë nuk dua t'ia di çfarë ishin, se Perëndia nuk gjykon sipas pamjes së jashtme, nuk i shtuan asgjë predikimit tim. Përkundrazi, ata e kishin parë se ungjilli për të parrethprerët m'u besua mua, sikurse Pjetrit iu besua ungjilli për të rrethprerët. Ai që e bëri Pjetrin apostull për të rrethprerët, më bëri edhe mua apostull për kombet. Jakobi, Pjetri e Gjoni, që njiheshin si shtylla të besimit, duke e njohur hirin që më ishte dhënë, na shtrënguan dorën në shenjë miqësie mua dhe Barnabës, që ne të shkonim ndër kombet e ata ndër të rrethprerët. Veçse na kërkuan të kujtoheshim për të varfrit e tyre, gjë që e kam bërë me këmbëngulje. Por, kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova më sy, sepse ishte për t'u qortuar. Para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë nga kombet, ndërsa, kur erdhën ata, u tërhoq e u nda veçmas prej frikës nga besimtarët e rrethprerë. Edhe judenjtë e tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u gënjye nga hipokrizia e tyre. Kur pashë se ata nuk jetonin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit para të gjithëve: «Nëse ti, që je jude, sillesh si kombet e jo si jude, si mund t'i detyrosh besimtarët nga kombet të sillen si judenj?». Ne vetë, që jemi lindur judenj dhe nuk jemi nga kombet mëkatare, e dimë se njeriu nuk bëhet i drejtë nga veprat që kërkon ligji, por vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin. Prandaj edhe besuam në Krishtin Jezu, që të bëhemi të drejtë nga besimi në Krishtin e jo nga veprat që kërkon ligji, sepse askush nuk do të bëhet i drejtë nga veprat e ligjit. Nëse ne, që kërkojmë të bëhemi të drejtë përmes Krishtit, del se jemi mëkatarë si të tjerët, mos vallë Krishti i shërben mëkatit? Larg qoftë! Po të ndërtoja sërish këto gjëra, që i rrëzova, unë do të isha bërë vetë shkelës i ligjit. Kështu, përmes ligjit jam i vdekur për ligjin, që të jetoj për Perëndinë. Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua. Këtë jetë, që tani jetoj në trup njerëzor, e jetoj me besim në Birin e Perëndisë, i cili më deshi e dha veten për mua. Unë nuk e mohoj hirin e Perëndisë, sepse, në u bëka i drejtë njeriu përmes ligjit, atëherë Krishti paska vdekur më kot. O galatas të marrë, kush jua mori mendtë si me magji juve, para syve të të cilëve Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? Vetëm këtë dua të marr vesh prej jush, a e morët Shpirtin falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? Kaq të marrë qenkeni? Pasi filluat të jetonit në Shpirtin, tani po përfundoni në një jetë sipas trupit njerëzor? Më kot i përjetuat gjithë këto gjëra? A thua vërtet më kot? Ai, pra, që ju jep Shpirtin e vepron me fuqi ndër ju, a mos i bën këto falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? Kështu Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi. Dijeni, pra, se ata që besojnë janë bij të Abrahamit. Prandaj Shkrimi, duke paraparë se Perëndia do t'i bënte të drejta kombet përmes besimit, ia dha Abrahamit që më parë lajmin e mirë: gjithë kombet do të bekohen në ty. Kështu, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me besëtarin Abraham. Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji janë nën mallkim, sepse Shkrimi thotë: qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit. Është e qartë se askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit, sepse i drejti do të jetojë prej besimit. Ligji nuk buron prej besimit, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre. Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi thotë: i mallkuar është cilido që varet në dru. Prandaj, bekimi i Abrahamit u vjen kombeve me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit ne e marrim përmes besimit. Vëllezër, po flas si njeri. Asnjeri nuk i heq e nuk i shton gjë një besëlidhjeje njerëzore pasi kjo të jetë vulosur. Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Shkrimi nuk thotë: « Edhe pasardhësve » si për shumë të tillë, por për një të vetëm: « Dhe pasardhësit tënd » që është Krishti. Ja çfarë po them: ligji, që u dha katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin. Nëse trashëgimia do të vinte prej ligjit, nuk do të vinte nga premtimi. E, pra, Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit. Pse u dha ligji, atëherë? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi, të cilit iu bë premtimi. Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi, por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme. E Perëndia është një i vetëm. A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin. Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin. Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë. Dua të them se, për aq kohë sa trashëgimtari është i mitur, nuk dallon fare nga skllavi, ndonëse është pronari i gjithçkaje. Ai është nën kujdestarë e mbikëqyrës deri në kohën e caktuar nga i ati. Po ashtu edhe ne, kur ishim të mitur, kemi qenë skllevër të parimeve të botës. Por, kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e tij. Ai lindi nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit, për të shpenguar ata që ishin nën ligj e që ne të birësohemi. Duke qenë se jeni bij të tij, Perëndia dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, që thërret: «Abba, o Atë!». Prandaj, ti nuk je më skllav, por bir. Nëse je bir, je edhe trashëgimtar përmes Perëndisë. Dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, u shërbenit idhujve që prej natyre nuk janë perëndi. Tani që e keni njohur Perëndinë, ose më mirë të them, se Perëndia ju njohu ju, si ktheheni përsëri te këto parime të dobëta e mjerane për t'u shërbyer sërish atyre? Ju mbani si të kremte disa ditë, muaj, stinë e vite. Kam frikë se u mundova më kot për ju. Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam bërë si ju. Ju nuk më keni bërë asnjë të keqe. Ju e dini se herën e parë, që ju predikova ungjillin, lëngoja në trup. Megjithëse lëngata ime në trup ishte sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu. Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se, po të kishte qenë e mundur, ju do t'i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m'i dhënë mua. Tani qenkam bërë armiku juaj pse po ju them të vërtetën? Ata tregohen të zellshëm me ju, por jo për mirë, madje dëshirojnë t'ju shkëpusin, që pastaj ju të jeni të zellshëm me ta. Është mirë që të jeni gjithmonë të zellshëm për të mirën e jo vetëm kur jam unë me ju. Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si gruaja gjatë lindjes, derisa Krishti të marrë trajtë në ju. Do të doja të isha pranë jush tani e të flisja ndryshe, se nuk di ç'të bëj më me ju. Më thoni ju, që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin? Shkrimi thotë se Abrahami pati dy bij, një prej skllaves e një prej të lirës. Biri i skllaves lindi prej mishit, ndërsa biri i së lirës përmes premtimit të Perëndisë. Këto gjëra kanë tjetër kuptim. Dy gratë janë dy besëlidhje. Njëra, ajo prej malit Sinai që lind për skllavërim, është Hagara. Hagara, domethënë mali i Sinait në Arabi, përkon me Jerusalemin e sotëm, që është në skllavëri bashkë me bijtë e vet. Ndërsa gruaja e lirë përfaqëson Jerusalemin qiellor dhe është nëna jonë. Shkrimi thotë: ngazëllohu ti shterpë, ti që nuk lind, kërce e bërtit nga gëzimi ti që s'pate dhimbjet e lindjes, se bijtë e të braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që ka burrë. Ju, vëllezër, jeni bij të premtimit të Perëndisë, sikurse Isaku. Edhe tani ndodh si atëherë, kur ai që lindi prej mishit, përndoqi atë që kishte lindur përmes Shpirtit. Por çfarë thotë Shkrimi? Dëboje skllaven me të birin, pasi biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me birin e së lirës. Kështu pra, vëllezër, ne nuk jemi bijtë e skllaves, por bijtë e së lirës. Krishti na çliroi që të jemi të lirë, prandaj qëndroni fort e mos bini sërish nën zgjedhën e skllavërisë. Ja, unë Pali po ju them se nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju vlejë aspak. Kujtdo që rrethpritet, po ia bëj të ditur se është i detyruar të zbatojë tërë ligjin. Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë. Sepse në Shpirtin, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë. Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë. Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës? Ato që ju kanë thënë për t'ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri. Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi. Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin. Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më pengesë. U gjymtofshin ata që po ju trazojnë. Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të mishit, por t'i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri. Sepse i gjithë ligji është përmbledhur në këtë urdhër të vetëm: duaje të afërtin si veten. Por nëse kafshoni e përpini njëri-tjetrin, ruajuni se mos shfarosni njëri-tjetrin. Prandaj ju them: jetoni në Shpirt e kështu nuk do të plotësoni dëshirat e mishit. Sepse dëshirat e mishit janë kundër Shpirtit e Shpirti është kundër dëshirave të mishit. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin e kështu ju nuk bëni atë që dëshironi. Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit, nuk jeni nën ligjin. Veprat e dëshirave të mishit janë të dukshme: kurvëria, ndyrësia, fëlligështia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet, zilitë, dehjet, darkat e shfrenuara e të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Por fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, zemërbutësia e vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar dobësinë njerëzore bashkë me pasionet dhe dëshirat. Nëse jetojmë në Shpirt, atëherë edhe të udhëhiqemi prej tij. Të mos krekosemi duke ngucur e duke lakmuar njëri-tjetrin. Vëllezër, nëse ndokush kapet në faj, ju që keni Shpirtin e shenjtë ndreqeni atë me shpirtbutësi, por ruhuni se mos tundoheni edhe ju vetë. Mbajini barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit. Sepse, nëse ndonjëri mendon se është dikush, duke mos qenë askush, ai mashtron veten. Secili të shqyrtojë veprat e veta e pastaj të krenohet vetëm me veten e jo me dikë tjetër. Sepse çdonjëri do të mbajë barrën e vet. Kush mëson fjalën e Perëndisë, le të ndajë me mësuesin e vet të gjitha të mirat e tij. Mos t'ju gënjejë mendja: Perëndia nuk vihet në lojë. Ç'të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Kush mbjell sipas dobësisë së vet njerëzore, prej saj do të korrë shkatërrimin, ndërsa kush mbjell sipas Shpirtit, do të korrë prej tij jetën e amshuar. Le të mos lodhemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos dorëzohemi, do të kemi edhe të korra në kohën e duhur. Prandaj, sa të kemi kohë, të punojmë për të mirën e të gjithëve, sidomos të vëllezërve në besim. Shikoni me ç'shkronja të mëdha ju shkrova me dorën time. Ata që ju detyrojnë të rrethpriteni duan të dalin mirë para njerëzve vetëm që të mos përndiqen për kryqin e Krishtit. Madje as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mburren me ju. Sa për mua, unë nuk dua të krenohem me asgjë tjetër, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, përmes të cilit jam i vdekur në kryq për sa i përket botës dhe bota për sa më përket mua. Sepse nuk vlejnë gjë as rrethprerja, as parrethprerja, por vlen vetëm krijesa e re. Të gjithë ata që do të ndjekin këtë rregull, paçin paqe e mëshirë, ata dhe Izraeli i Perëndisë. Që tani e tutje asnjeri të mos m'i shtojë mundimet, sepse unë mbart shenjat e plagëve të Jezuit në trupin tim. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen! Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë po ju shkruaj të shenjtëve që janë në Efes dhe që besojnë në Krishtin Jezu: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror e qiellor. Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë e të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij, Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij, që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur. Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij e na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë. Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri. Ai na bëri të njohur shestimin e fshehtë të vullnetit të vet që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit. Këtë shestim ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t'i vënë të gjitha gjërat nën pushtetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, edhe ato që janë në tokë. Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t'u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet, në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij. Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të e Perëndia ju vulosi me Shpirtin e shenjtë që kishte premtuar. Ky Shpirt është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij. Prandaj edhe unë, që kur dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët, nuk resht së falënderuari Perëndinë për ju, duke ju përmendur në lutjet e mia. Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, ju dhëntë Shpirtin e urtisë, që do t'ju zbulojë si ta njihni plotësisht atë. Ai ju ndriçoftë sytë e zemrave tuaja, që të njihni se cila është shpresa për të cilën ju thirri, sesa e pasur dhe e lavdishme është trashëgimia e tij për të shenjtët dhe sesa madhështore dhe e pashoqe është fuqia e tij ndaj nesh që besojmë në të. Kjo fuqi është e njëjta forcë vepruese e pushtetit të Perëndisë, me të cilën ai ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e uli në të djathtë të fronit të tij në qiej, duke e vënë përmbi çdo sundim e pushtet, përmbi çdo fuqi e zotërim dhe mbi çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme. Perëndia e nënshtroi gjithçka nën këmbët e Krishtit dhe e bëri atë kreun e kishës, përmbi çdo gjë. Kisha është trupi i Krishtit, është plotësia e atij që me praninë e tij bën gjithçka të plotë. Edhe ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive e mëkateve tuaja, në të cilat jetonit dikur sipas mënyrës së kësaj bote, duke iu nënshtruar prijësit që sundon mes qiellit e tokës, shpirtit që tani vepron te bijtë e mosbindjes. Edhe ne dikur jetonim si ata, jepeshim pas epsheve të trupit, bënim çfarë dëshironte trupi e mendja jonë dhe dobësia jonë njerëzore na kishte bërë prej natyre bij të zemërimit njëlloj si të tjerët. Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, na dha jetë bashkë me Krishtin, ndonëse ishim të vdekur në paudhësitë tona. Ju jeni shpëtuar me anë të hirit. Perëndia na ngjalli me Jezu Krishtin e na uli bashkë me të në vendet qiellore. Kështu, nga mirësia që tregoi për ne përmes Krishtit Jezu, ai shpalosi për epokat e ardhshme pasurinë e pamasë të hirit të tij. Në të vërtetë, ju jeni shpëtuar me anë të hirit, përmes besimit e kjo nuk vjen prej jush, por është dhuratë nga Perëndia. Ju nuk u shpëtuat prej veprave tuaja, kështu që askush të mos mburret. Ne jemi vepër e Perëndisë, të krijuar përmes Krishtit Jezu për të bërë vepra të mira, të cilat Perëndia i parapërgatiti, që ne t'i vëmë në jetë. Prandaj kujtohuni se ju dikur keni qenë kombe që jetonit në dobësinë e mishit e jeni quajtur të parrethprerë nga judenjtë që quhen të rrethprerë. Ata janë rrethprerë në mish nga dora e njeriut. Në atë kohë, ju ishit pa Krishtin, nuk i përkisnit popullit të Izraelit, ishit të huaj për besëlidhjet e premtimit dhe nuk kishit shpresë e as Perëndi në këtë botë. Por tani përmes Krishtit Jezu, ju që dikur ishit larg nga Perëndia, iu afruat atij me anë të gjakut të Krishtit. Krishti është paqja jonë, është ai që nga kombet e nga judenjtë bëri një popull të vetëm dhe që në trupin e tij shembi murin që i ndante e që i bënte armiq. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve dhe të rregullave, që t'i bashkonte me veten kombet dhe judenjtë e t'i bënte një njeri të ri, duke sjellë kështu paqen mes tyre. Pasi shkatërroi armiqësinë mes tyre me anë të kryqit të tij, Krishti i bashkoi ata në një trup të vetëm e i pajtoi me Perëndinë. Ai erdhi e u predikoi ungjillin e paqes si juve që ishit larg Perëndisë, ashtu edhe atyre që ishin afër tij. Sepse, përmes Krishtit, si ju kombet, ashtu edhe ne judenjtë, mund të shkojmë tek Ati, me anë të të vetmit Shpirt. Prandaj ju nuk jeni më të huaj e bujtës, por jeni bashkëqytetarë me të shenjtët dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë. Ju jeni pjesë e ndërtesës që ka si themel apostujt e profetët dhe si gur të qoshes vetë Krishtin Jezu. Në të e gjithë ndërtesa lidhet mirë e rritet për t'u bërë një tempull i shenjtë për Zotin. Përmes tij edhe ju bashkë me të tjerët po ndërtoheni për t'u bërë ndërtesa ku Perëndia banon përmes Shpirtit. Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju kombet, i lutem Perëndisë. Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t'ju shërbyer juve dhe për shestimin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë. Kur t'i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit, ia zbuloi këtë apostujve e profetëve të tij të shenjtë: përmes ungjillit kombet do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me judenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu. Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m'u dhurua nga Perëndia e që m'u dha falë veprimit të fuqisë së tij. Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m'u dha ky hir për t'u predikuar kombeve pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit dhe për të nxjerrë në dritë sesi Perëndia që krijoi gjithçka do të vinte në jetë shestimin e tij që e kishte mbajtur të fshehur prej shekujsh. Kështu tani, nëpërmjet kishës, sundimtarëve e pushteteve në vendet qiellore u bëhet e njohur urtia e shumëfishtë e Perëndisë. Këtë Perëndia e bëri sipas qëllimit të tij të amshuar që ai e përmbushi përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë. Të bashkuar me Krishtin dhe përmes besimit në të, mund t'i afrohemi Perëndisë me liri e siguri të plotë. Prandaj ju lutem të mos dëshpëroheni prej vuajtjeve që po kaloj për ju, përkundrazi ta keni për nder. Prandaj unë bie në gjunjë para Atit, prej të cilit merr jetë çdo krijesë në qiej e në tokë. Perëndia ju dhëntë, sipas pasurive të lavdisë së tij e përmes Shpirtit të tij, ju bëftë më të fortë shpirtërisht. Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit, në mënyrë që të rrënjosur e të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni bashkë me të gjithë të shenjtët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia e thellësia e dashurisë së Krishtit. Lutem që të njihni dashurinë e Krishtit, e cila tejkalon çdo dije, që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë. Perëndisë, që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne, atij i qoftë lavdia përmes kishës e përmes Krishtit Jezu për të gjitha breznitë, në shekuj të shekujve! Amen! Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju lutem të bëni një jetë të denjë për Perëndinë që ju thirri, një jetë me shumë përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e pranuar njëri-tjetrin me dashuri, duke u përpjekur të ruani njëshmërinë që vjen nga Shpirti, përmes paqes që ju lidh me njëri-tjetrin. Ka vetëm një trup e vetëm një Shpirt, sikurse dhe ka vetëm një shpresë në të cilën ju thirri Perëndia. Ka vetëm një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë të të gjithëve, që është mbi të gjithë, që vepron përmes të gjithëve e që banon në të gjithë. Kështu, secilit nga ne iu dha hiri në atë masë që Krishti deshi të na dhurojë. Prandaj thuhet: kur u ngrit në lartësi, të robëruarit i bëri robër të tij e njerëzve u dha dhunti. Fjalët «u ngrit», a nuk do të thonë se ai kishte zbritur më parë në pjesët më të ulëta të tokës? Ai që zbriti është po ai që edhe u ngrit përmbi gjithë qiejt, që të përmbushë gjithçka. Disa ai i bëri apostuj, disa i bëri profetë, disa i bëri ungjilltarë, disa i bëri barinj e mësues, që të përgatisë të shenjtët për të kryer veprën e shërbimit ndaj të tjerëve, për rritjen në besim të trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë në njëshmërinë e besimit dhe në njohjen e Birit të Perëndisë. Kështu do të bëhemi njerëz të përsosur, sipas masës së përsosmërisë së Krishtit, që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këtej, që i vërtit era e çdo mësimi njerëzor dhe që e lënë veten të mashtrohen nga dinakëria e dredhia e njerëzve. Por, duke dëshmuar të vërtetën me dashuri, le të rritemi plotësisht drejt atij që është kreu, Krishtit. Ai bashkon e lidh gjithë trupin nëpërmjet nyjeve dhe çdo gjymtyrë, sipas detyrës së vet, ndihmon në rritjen e trupit dhe në forcimin e tij në dashuri. Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet që mendojnë kotësira. Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre. Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra. Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij. Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t'i thotë të vërtetën të afërtit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar. Mos i bëni vend djallit. Kush vidhte, le të mos vjedhë më, por, përkundrazi, të punojë ndershmërisht me duart e veta, që të ketë për t'i dhënë atij që ka nevojë. Le të mos dalë asnjë fjalë e ndyrë nga goja juaj, por vetëm fjalë të dobishme që ndihmojnë rritjen në besim, sipas nevojës, e që të jenë të dobishme për ata që i dëgjojnë. Mos e brengosni Shpirtin e shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai ju vulosi për ditën e shpengimit. Hiqni nga vetja çdo lloj hidhëtie, zemërimi, tërbimi, bërtitjeje e fyerjeje, si dhe çdo ligësi. Përkundrazi, jini të mirë e të dhembshur me njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse ju ka falur edhe Perëndia përmes Krishtit. Kështu pra, bëhuni shkërbim i Perëndisë, se jeni bijtë e tij të dashur. Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëkëndshme për Perëndinë. Por kurvëria e çdo ndyrësi a lakmi as të mos përmenden ndër ju, se kështu u ka hije të shenjtëve. As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë. Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të kenë trashëgim në mbretërinë e Krishtit e të Perëndisë. Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta. Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës, sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta. Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin. Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, paditini. Gjërat që ata bëjnë në fshehtësi është turp edhe të zihen në gojë, por kur dalin në dritë, bëhen të dukshme. Çdo gjë që bëhet e dukshme, bëhet dritë. Prandaj thuhet: Zgjohu, o ti që fle! Ngrihu prej të vdekurve e Krishti do të shndritë mbi ty. Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur. Përdoreni mirë kohën, se po jetojmë ditë të këqija. Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin, duke kënduar mes jush psalme, himne e këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit. Gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës. Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka. Burrat t'i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të, me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës, që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë e të patëmetë. Kështu edhe burrat duhet t'i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten. Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij. Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm. Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën. Megjithatë edhe secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj. Ju fëmijë, bindjuni prindërve tuaj për hir të Zotit, sepse kjo është e drejtë. Ndero atin tënd e nënën tënde, ky është urdhërimi i parë që shoqërohet me premtim: që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe. Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën e me këshillat e Zotit. Ju shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj tokësorë me nderim e frikë dhe me zemër të sinqertë, sikurse Krishtit, jo sa për sy e faqe, si ata që duan t'u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, që bëjnë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt. Shërbeni me dashamirësi si t'i shërbenit Zotit e jo njerëzve, duke e ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav a i lirë, do të marrë shpërblimin prej Zotit. Edhe ju, zotërinj, silluni po ashtu me ta e hiqni dorë nga kërcënimet, duke e ditur se edhe ju, edhe skllevërit tuaj, keni të njëjtin Zot në qiej, i cili nuk mban anën e askujt. Së fundi, forcohuni nga Zoti dhe nga fuqia e pushtetit të tij. Ngjishni gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni të fortë kundër dredhive të djallit. Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër parive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore. Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t'i bëni ballë ditës së ligë e të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund. Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën e vishni drejtësinë si parzmore. Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes. Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit që është fjala e Perëndisë. Lutuni në çdo kohë dhe drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti. Prandaj rrini zgjuar e këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë të shenjtët. Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit. Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur. Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t'ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh sesi jam e çfarë po bëj. Po e dërgoj te ju, që të dini sesi jemi e që t'u japë ngushëllim zemrave tuaja. Perëndia Atë dhe Zoti Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri e besim. Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht me dashuri të pavdekshme! Pali e Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezu, po ju shkruajmë të gjithë të shenjtëve në Krishtin Jezu, peshkopëve e dhjakëve që janë në Filipi: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! E falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj. Në çdo lutje që bëj, gjithmonë, lutem me gëzim për ju të gjithë, për pjesëmarrjen tuaj në dobi të ungjillit nga dita e parë deri tani. Jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta përfundojë deri në ditën kur do të vijë Krishti Jezu. Është e drejtë që unë të mendoj kështu për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër. Ju të gjithë merrni pjesë në hirin që m'u dha mua për të mbrojtur e për të dëshmuar ungjillin, si tani që jam në pranga, ashtu edhe atëherë kur isha i lirë. Kam Perëndinë për dëshmitar sesi digjem nga malli për ju të gjithë me dhembshurinë e Krishtit Jezu. Unë lutem që dashuria juaj të rritet gjithnjë e më shumë e të pasurohet me dije e me aftësi për të kuptuar, që të jeni në gjendje të dalloni më të mirën dhe të jeni të dëlirë e të pafajshëm në ditën e ardhjes së Krishtit, të mbushur plot me frytet e drejtësisë që vijnë prej Jezu Krishtit, për lavdinë e lavdërimin e Perëndisë. Tani, o vëllezër, dëshiroj ta dini se ajo që më ka ndodhur mua, ka ndihmuar më shumë në përparimin e ungjillit. Kështu, mbarë pretoriumi dhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar qartë se unë jam në pranga për Krishtin. Pjesa më e madhe e vëllezërve morën zemër në Zotin nga prangat e mia dhe e shpallën fjalën e Perëndisë më me guxim e pa frikë. Është e vërtetë që disa e predikojnë Krishtin me smirë e sedër të sëmurë, por disa të tjerë e predikojnë nga vullneti i mirë. Këta e shpallin Krishtin nga dashuria, sepse e dinë se jam ngarkuar nga Perëndia për të mbrojtur ungjillin, ndërsa ata të tjerët e predikojnë Krishtin nga sedra e sëmurë, pa sinqeritet, duke menduar se kështu i shtojnë më tepër vuajtje prangosjes sime. Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me hipokrizi a me sinqeritet, Krishti predikohet e për këtë gëzohem. Dhe përsëri do të gëzohem, sepse e di se përmes lutjeve tuaja dhe me ndihmën e Shpirtit të Jezu Krishtit kjo gjë do të sjellë shpëtimin tim. Këtë pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem në asgjë, por me shumë guxim, si gjithmonë, edhe tani, e madhëroj Krishtin në trupin tim, si përmes jetës, edhe përmes vdekjes. Sa për mua jeta është Krishti dhe vdekja është fitim. Por, nëse jeta ime në trup jep fryte të dobishme, atëherë nuk di ç'të zgjedh. Jam ndërdyshas: nga njëra anë dua të largohem nga kjo botë e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjëja më e mirë; nga ana tjetër, nëse qëndroj në trup, kjo është më e nevojshme për ju. Për këtë jam i bindur dhe e di se do të qëndroj në këtë botë e do të vazhdoj të jem me ju të gjithë, që t'ju ndihmoj të përparoni e të gjeni gëzimin që sjell besimi. Kështu prania ime mes jush do t'ju bëjë edhe më krenarë për besimin në Krishtin Jezu. Por ju, jetoni në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit, që edhe nëse vij e ju shoh, edhe nëse jam larg jush e dëgjoj për ju, të dëgjoj se qëndroni të fortë në një shpirt dhe se përpiqeni së bashku me një mendje, për besimin e ungjillit. Mos u frikësoni aspak nga kundërshtarët. Kjo gjë tregon se ata po shkojnë drejt humbjes, ndërsa ju drejt shpëtimit që vjen prej Perëndisë. Juve ju është dhënë hiri t'i shërbeni Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe që të vuani për të, sepse ju po bëni të njëjtën betejë, që më keni parë edhe mua duke bërë e për të cilën po dëgjoni se e bëj edhe tani. Nëse Krishti është shtysa e jetës suaj, nëse dashuria ju ngushëllon, nëse keni bashkësi me Shpirtin, nëse tregoni dashuri e mëshirë për njëri-tjetrin, atëherë bëjeni të plotë gëzimin tim, duke qenë të një mendjeje, duke pasur të njëjtën dashuri dhe duke pasur një shpirt e një mendje. Mos bëni asgjë prej sedrës së sëmurë a për lavdi të kotë, por me përulësi çmojeni tjetrin më shumë se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve. Kini ndër ju po atë mendje që kishte edhe Krishti Jezu, i cili, megjithëse kishte natyrë hyjnore, të qenit i barabartë me Perëndinë nuk e pa si diçka pas së cilës të mbahej fort, por e zbrazi veten duke marrë natyrë shërbëtori e u bë i ngjashëm me njerëzit. Kur u shfaq si njeri, ai e përuli veten e u bë i bindur deri në vdekje, madje me vdekje në kryq. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi mbi gjithçka tjetër e i dha emrin që është mbi çdo emër, që në emrin e Jezuit të bien në gjunjë të gjitha qeniet që janë në qiell, mbi tokë nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë se Jezu Krishti është Zot, që të përlëvdohet Perëndia Atë. Prandaj, fort të dashur, ashtu siç jeni bindur gjithmonë, jo vetëm kur isha mes jush, por shumë më tepër tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, se është vetë Perëndia ai që ju jep vullnetin e forcën për të vepruar, ashtu siç i pëlqen atij. Bëni gjithçka pa murmuritur e pa u ankuar, që të jeni të paqortueshëm e të panjollë, bij të Perëndisë, të patëmetë në mes të një breznie të shthurur e të çoroditur. Mes kësaj breznie ju ndriçoni si yjet në qiell, duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem ditën e ardhjes së Krishtit, se nuk vrapova e as nuk u mundova më kot. Edhe nëse gjaku im do të derdhej si flijim mbi flinë kushtuese të besimit tuaj ndaj Perëndisë, do të gëzohem e do të ngazëllej bashkë me të gjithë ju. Po ashtu edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua. Shpresoj se me ndihmën e Zotit Jezu do t'ju dërgoj së shpejti Timoteun, që të marr edhe unë zemër kur të kem lajme prej jush. Përveç tij, nuk kam asnjë tjetër që të jetë në një mendje me mua e që të kujdeset sinqerisht për mirëqenien tuaj. Sepse të gjithë shohin interesin e vet dhe jo atë të Jezu Krishtit. Ju e dini sesa i sprovuar është treguar Timoteu. Ai ka shërbyer bashkë me mua për përhapjen e ungjillit dhe më ka ndihmuar si biri ndihmon të atin. Kështu, shpresoj t'jua dërgoj sapo të shoh si do të shkojnë punët me mua. Por jam i bindur se Zoti do të më ndihmojë, që edhe unë vetë të vij së shpejti. M'u duk e nevojshme t'ju dërgoj Epafroditin, vëllanë, bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që e kishit dërguar për të më shërbyer mua. Ai kishte shumë mall për ju të gjithë dhe u shqetësua kur mori vesh se ju kishit dëgjuar për sëmundjen e tij. Është e vërtetë që ai u sëmur për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos hidhërohesha edhe më shumë. Prandaj e dërgova me ngut që ju të gëzoheni kur ta shihni përsëri dhe unë të jem më pak i brengosur. Priteni, pra, me plot gëzim në Zotin dhe nderojini njerëz të tillë si ai, sepse për veprën e Krishtit ai për pak sa s'vdiq dhe vuri në rrezik jetën e vet për të plotësuar ndihmën që ju nuk mund të ma jepnit. Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin. Unë nuk lodhem duke ju shkruar të njëjtat gjëra, por këtë e bëj, se është e dobishme për ju. Ruhuni nga punëtorët e këqij të ungjillit, ruhuni nga ata qen! Ruhuni nga ata që ju shtyjnë të gjymtoheni me anë të rrethprerjes! Sepse rrethprerja jemi ne, ne që i shërbejmë Perëndisë përmes Shpirtit të tij, që krenohemi falë Krishtit Jezu e që nuk i zëmë besë dobësisë njerëzore, megjithëse unë kam përse t'i zë besë edhe dobësisë njerëzore. Nëse ndonjëri mendon se ka arsye t'i zërë besë dobësisë njerëzore, unë kam edhe më shumë: u rrethpreva të tetën ditë, jam nga populli i Izraelit, nga fisi i Benjaminit, hebre e bir hebreu dhe e zbatoja ligjin si farise. Kam qenë aq i zellshëm saqë edhe e kam përndjekur kishën dhe kam qenë i paqortueshëm, sepse bëja një jetë të drejtë sipas ligjit. Por këto gjëra që dikur kishin vlerë për mua, tani i quaj humbje për shkak të Krishtit. E me të vërtetë unë i shoh të gjitha si humbje përballë epërsisë që vjen nga njohja e Krishtit Jezu, Zotit tim. Për shkak të tij unë i humba të gjitha këto dhe i shoh si plehra, në mënyrë që të fitoj Krishtin dhe të jem me të, duke mos u bërë i drejtë përmes ligjit, por përmes besimit në Krishtin, domethënë të bëhem i drejtë nga Perëndia përmes besimit. Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij e të bashkohem me të në vdekjen e tij, me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve. Nuk them se ia kam arritur fundit e as se jam bërë i përsosur, por ende vrapoj për të fituar çmimin, për të cilin edhe Krishti më fitoi mua. Vëllezër, unë nuk mendoj për veten time se ia kam arritur, por di të them se i kam harruar ato që kam lënë pas dhe se po rend drejt atyre që kam përpara, drejt synimit për të fituar çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë, përmes Krishtit Jezu. Kështu le të mendojmë të gjithë ne që jemi të përsosur në besim. Nëse ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t'ju ndriçojë mendjen edhe për këtë gjë. Pavarësisht se ku kemi arritur, le të vazhdojmë të ndjekim të njëjtën udhë. Vëllezër, më shkërbeni mua dhe shikoni ata që ecin sipas shembullit tim. Siç ju kam thënë shpesh e po jua them edhe tani me lot ndër sy, se ka shumë nga ata që jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit. Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku, ata mburren me gjëra për të cilat duhet të turpëroheshin. Ata e kanë mendjen në gjërat e kësaj bote, ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë duke e bërë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, me anë të fuqisë e pushtetit që do të nënshtrojë gjithçka nën sundimin e vet. Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, që ju kujtoj me mall e që jeni gëzimi e kurora ime, qëndroni të fortë në Zotin, o fort të dashur. U bëj thirrje Evodisë e Sintikës që, me njëra-tjetrën, të jenë të një mendje në Zotin. Të lutem edhe ty, o miku im i vërtetë, t'i ndihmosh ato, se kanë luftuar krah meje për ungjillin së bashku me Klementin dhe bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës. Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri po ju them: gëzohuni! Zemërbutësia juaj le t'u bëhet e njohur të gjithë njerëzve. Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë, por për çdo gjë drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë me lutje, me përgjërime e me falënderime. Paqja e Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore, do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja, që të jenë pranë Krishtit Jezu. Së fundi, vëllezër, kini në mendje të gjitha sa janë të vërteta, sa janë të ndershme, sa janë të drejta, sa janë të dëlira, sa janë të dashura, të gjitha sa kanë emër të mirë, sa janë të virtytshme dhe sa janë të denja për t'u lavdëruar. Bëni gjithçka që keni mësuar e keni marrë prej meje dhe që keni dëgjuar e keni parë në mua. Perëndia i paqes do të jetë me ju. U gëzova shumë në Zotin që tani më në fund e rigjallëruat përkujdesjen tuaj për mua. Në të vërtetë ju e kishit në mendje, por nuk ju ishte dhënë rasti ta tregonit. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë kam mësuar të jem i kënaqur në çdo rrethanë. Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë. Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon. Megjithatë, ju bëtë mirë që m'u gjendët pranë në vështirësitë e mia. Ju, o filipianë, e dini se kur fillova të predikoj ungjillin, pasi u largova nga Maqedonia, asnjë kishë, përveç jush, nuk më ndihmoi me të holla. Në të vërtetë edhe kur gjendesha në Selanik, jo një, por dy herë, ju më dërguat ndihmë kur isha në nevojë. Unë nuk po kërkoj dhuratë nga ju, por po kërkoj të shoh frytet e zemërgjerësisë suaj që janë për dobinë tuaj. Unë kam gjithçka dhe më tepron. Kam gjithë të mirat, pasi mora nga Epafroditi çfarë më kishit dërguar ju, një aromë erëmirë, një fli e pranueshme, e pëlqyeshme për Perëndinë. Perëndia im do të plotësojë përmes Krishtit Jezu çdo nevojë tuajën, sipas pasurive të tij të lavdishme. Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen! Përshëndetni të gjithë të shenjtët në emër të Krishtit Jezu. Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin. Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit. Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj. Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu nga vullneti i Perëndisë, dhe vëlla Timoteu, po ju shkruajmë të shenjtëve e vëllezërve që besojnë në Krishtin dhe që janë në Kolos: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë! E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, sa herë lutemi për ju, sepse kemi dëgjuar për besimin tuaj në Krishtin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët. Këtë besim e këtë dashuri e keni për shkak të shpresës që ju pret në qiej, për të cilën keni dëgjuar më parë në predikimin e të vërtetës së ungjillit. Ky ungjill mbërriti te ju e po jep fryt e po përparon në mbarë botën, sikurse ndër ju, që nga dita kur e dëgjuat dhe njohët me të vërtetë hirin e Perëndisë. Këtë ungjill jua mësoi Epafrai, bashkëpunëtori ynë i dashur, që është shërbëtor besnik i Krishtit për ju. Ai na foli për dashurinë që ju ka dhënë Shpirti. Prandaj edhe ne, që nga dita kur e morëm vesh këtë gjë, nuk reshtim së luturi për ju dhe i kërkojmë Perëndisë t'ju japë urtinë e mençurinë shpirtërore që ta njihni plotësisht vullnetin e tij. Kështu do të mund të bëni një jetë të denjë për Zotin dhe, ashtu si i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke shtuar njohuritë për Perëndinë. Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim e që me gëzim të falënderoni Atin që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e të shenjtëve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës e na futi në mbretërinë e Birit të tij të dashur, në të cilin kemi shpengimin, faljen e mëkateve. Biri është shëmbëllimi i Perëndisë së padukshëm, i lindur përpara çdo krijese. Sepse nga ai u krijua gjithçka në qiej e në tokë, të dukshmet e të padukshmet, fronet, zotërimet, sunduesit e pushtetet. Gjithçka u krijua përmes tij e për të. Ai është përpara çdo gjëje, gjithçka e krijuar qëndron në të. Ai është kreu i trupit, domethënë i kishës, fillimi i jetës së re, i pari që u ngjall prej të vdekurve, që të jetë i pari në gjithçka. Sepse Perëndisë i pëlqeu që në Birin të banojë e gjithë plotësia e vetë Perëndisë e të pajtojë me veten e tij, nëpërmjet Birit, gjithçka mbi tokë a në qiej, duke vendosur paqen me anë të gjakut që Biri derdhi në kryq. Edhe ju dikur ishit të huaj për Perëndinë dhe armiq të tij për shkak të mendimeve e veprave tuaja të liga. Por tani Biri ju pajtoi me Perëndinë me anë të vdekjes në trupin e tij njerëzor, që t'ju paraqesë para tij të shenjtë, të patëmetë e të paqortueshëm. Por duhet të qëndroni të fortë në besim, të qëndrueshëm e të palëkundur në shpresën që jep ungjilli që dëgjuat. Ky ungjill i është predikuar gjithë krijesës nën qiell dhe unë, Pali, jam bërë shërbëtor i tij. Tani, gëzohem që vuaj për ju dhe që po plotësoj në trupin tim njerëzor atë që u mungon vuajtjeve të Krishtit për trupin e tij, domethënë për kishën. Kësaj kishe i shërbej edhe unë sipas detyrës që më ngarkoi Perëndia për ju, që t'ju predikoj të plotë fjalën e tij. Kjo fjalë është shestimi i Perëndisë, që ka qenë i fshehur gjatë shekujve për të gjitha breznitë, por që tani iu shfaq të shenjtëve. Perëndia donte t'u bënte të njohur atyre pasurinë e lavdisë së këtij shestimi të fshehtë për të gjitha kombet. Ky plan i fshehtë është Krishti në ju, i cili është shpresa juaj për lavdinë që do të vijë. Këtë Krisht predikojmë edhe ne, duke këshilluar e duke mësuar çdo njeri me gjithë urtinë që kemi, me qëllim që të gjithë njerëzit t'i paraqesim të përsosur përmes Krishtit para Perëndisë. Prandaj unë mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit që vepron fuqishëm brenda meje. Dua t'ju bëj të njohur luftën e madhe që bëj për ju, për ata të Laodicesë dhe për të gjithë ata që nuk më kanë njohur personalisht. Unë luftoj që zemrat e tyre të gjejnë ngushëllim, që ata të jetojnë të bashkuar me dashuri e të pasuruar me sigurinë që jep dija e plotë. Kështu ata mund të njohin të fshehtën e Perëndisë, Krishtin. Në të gjenden të fshehura të gjitha thesaret e urtisë e të dijes. Këtë jua them që të mos ju gënjejë askush me fjalë joshëse. Edhe pse me trup nuk jam aty, shpirtërisht jam me ju dhe gëzohem kur shikoj rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin. Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të. Tek ai t'i keni rrënjët e mbi të ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje. Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti. Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë. Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi. Mos lejoni t'ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja a të shtunash. Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit. Mos lejoni t'ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë apo që këmbëngul në përulësi të jashtme e në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij njerëzore. Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë. Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin e u çliruat nga fuqitë shpirtërore që sundojnë këtë botë, përse jetoni si t'i përkisnit botës? Përse u nënshtroheni rregullave, si: «Mos e merr këtë!», «Mos e shijo atë!», apo «Mos e prek këtë!»? Këto janë gjëra që janë caktuar për t'u kalbur pasi të përdoren, janë rregulla e mësime njerëzish. Sigurisht, ato duken sikur kanë urti, se vishen me fetari sipas dëshirës së njerëzve, me përulësi e me një trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, përveçse kënaqin dobësinë njerëzore. Përderisa u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni gjërat që janë lart në qiej, atje ku ai rri ulur në të djathtën e Perëndisë. Mendoni për gjërat që janë lart në qiej dhe jo për ato që janë këtu poshtë në tokë. Sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj qëndron e fshehur me Krishtin te Perëndia. Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj, atëherë do të shfaqeni edhe ju bashkë me të në lavdi. Bëjini të vdesin gjërat tuaja tokësore: kurvërinë, ndyrësinë, epshet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre gjërave do të vijë zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Dikur edhe ju ecnit kësaj udhe, kur jetonit me këto gjëra. Por tani, hidhini tej të gjitha: zemërimin, mërinë, ligësinë, sharjet dhe fjalët e ndyra që nxirrni nga goja. Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse e keni zhveshur njeriun e vjetër, bashkë me sjelljet e tij, dhe keni veshur njeriun e ri, që përtërihet vazhdimisht, sipas shëmbëllimit të Perëndisë që e krijoi, që ta njihni plotësisht Perëndinë. Prandaj, nuk ka më helenë e judenj, të rrethprerë dhe të parrethprerë, barbarë, skitas, shërbëtorë e të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në çdo gjë. Perëndia ju ka thirrur, ju ka bërë të shenjtë dhe ju ka dashur, prandaj, vishuni me dhembshuri, me mirësi, me përulësi, me zemërbutësi dhe me zemërgjerësi. Durojeni dhe faleni njëri-tjetrin sa herë që dikush të ketë ankesë kundër ndonjë tjetri. Falni ashtu si edhe Zoti ju ka falur. Mbi të gjitha, kini dashuri, sepse dashuria do t'ju bashkojë në mënyrë të përsosur. Paqja e Krishtit, në të cilën Perëndia ju ka thirrur të jeni të bashkuar si një trup i vetëm, mbretëroftë në zemrat tuaja. Jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me gjithë begatinë e saj. Mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me urti! Këndojini me gjithë zemër Perëndisë psalme, himne e këngë shpirtërore! Gjithçka që thoni e gjithçka që bëni, ta bëni në emër të Zotit Jezu, duke falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë. Ju gra, nënshtrojuni burrave, siç ka hije në sytë e Zotit! Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të ashpër me to! Ju bij, bindjuni prindërve në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit! Ju etër, mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra! Ju skllevër, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj tokësorë, jo sa për sy e faqe për t'u pëlqyer njerëzve, por me thjeshtësi zemre dhe duke iu druajtur Zotit! Gjithçka që bëni, bëjeni me shpirt si ta bënit për Zotin e jo për njerëzit, sepse ju e dini se prej Zotit do të merrni si shpërblim trashëgimin e mbretërisë së tij. Në të vërtetë ju i shërbeni Zotit Krisht. Ai që bën padrejtësi do të shpaguhet për padrejtësinë që bëri. Perëndia nuk mban anë. Ju zotërinj, jepuni skllevërve atë që u takon me të drejtë, duke e ditur se edhe ju e keni një Zot në qiell! Këmbëngulni e rrini zgjuar në lutje, duke falënderuar Perëndinë. Lutuni edhe për ne, që Perëndia të na japë mundësi të tjera për të predikuar të fshehtën për Krishtin, për të cilin jam në burg. Lutuni që predikimi im të jetë ashtu siç duhet. Silluni me urti ndaj atyre që nuk besojnë në Krishtin, duke përdorur mirë çdo mundësi që ju jepet. Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme e të regjura, që të dini si t'i përgjigjeni gjithkujt. Tikiku, vëllai ynë i dashur e ndihmësi besnik, që i shërben Zotit bashkë me mua, do t'ju tregojë gjithçka për mua. Unë e dërgova te ju për të parë gjendjen tuaj dhe për t'ju ngushëlluar zemrat. Po e dërgoj bashkë me Onesimin, vëllanë tonë besnik e të dashur, që është një nga ju. Ata do t'ju tregojnë gjithçka që ndodh këtu. Ju përshëndet Aristarku, që është i burgosur bashkë me mua, dhe Marku, nipi i Barnabës, për të cilin ju kemi porositur që ta prisni mirë kur të vijë te ju. Ju përshëndet edhe Jezui që e thërrasin Just. Këta janë të vetmit nga besimtarët e rrethprerë që bashkëpunojnë me mua për përhapjen e mbretërisë së Perëndisë dhe që më janë bërë ngushëllim. Ju përshëndet Epafrai, që është një nga ju, dhe që është shërbëtor i Krishtit Jezu. Ai lutet gjithnjë për ju që të qëndroni të përsosur dhe të kryeni plotësisht vullnetin e Perëndisë. Unë ju siguroj se ai mundohet shumë për ju dhe për ata në Laodice e në Hierapojë. Ju përshëndesin Luka, mjeku i dashur, dhe Dema. Përshëndetni vëllezërit në Laodice, Nimfën dhe kishën që mblidhet në shtëpinë e saj. Kur ta keni lexuar këtë letër, dërgojuani edhe atyre të kishës në Laodice që ta lexojnë. Po ashtu edhe ju, merreni e lexojeni letrën që kam dërguar në Laodice. I thoni Arkipit: «Kujdes dhe kryeje mirë shërbesën që more nga Zoti». Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time. Kujtoni prangat e mia! Hiri qoftë me ju! Pali, Silvani e Timoteu, i shkruajmë kishës së selanikasve që i përket Perëndisë Atë e Zotit Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe! E falënderojmë gjithmonë Perëndinë për ju të gjithë dhe ju përmendim pa pushim në lutjet tona. Ne kujtojmë para Perëndisë dhe Atit tonë besimin tuaj të gjallë, dashurinë tuaj vepruese dhe shpresën tuaj të palëkundur, që e keni në Zotin tonë Jezu Krisht. O vëllezër, ne e dimë se Perëndia ju do dhe se ju ka zgjedhur, sepse ungjilli që ju predikuam nuk erdhi te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi, edhe me anë të Shpirtit të shenjtë, edhe me sigurinë e plotë se ai është i vërtetë. Ju e dini se kur ishim mes jush, çdo gjë që bëmë, e bëmë për të mirën tuaj. Ju u bëtë shkërbimi ynë e i Zotit dhe megjithëse vuajtët shumë, i pranuat fjalët e ungjillit me gëzimin që vjen nga Shpirti i shenjtë. Kështu, ju u bëtë shembull për të gjithë besimtarët në Maqedoni dhe në Akai. Fjala e Zotit jehoi prej jush jo vetëm në Maqedoni e në Akai, por edhe në çdo vend ku u përhap besimi juaj në Perëndinë. Kështu, ne nuk kemi nevojë të themi ndonjë gjë. Ata vetë tregojnë sesi na pritët kur erdhëm te ju e sesi ju hoqët dorë prej idhujve e u kthyet për t'i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë. Tani ju prisni Birin e tij, Jezuin, të vijë prej qiejve, të cilin ai e ngjalli prej të vdekurve dhe që na shpëton nga zemërimi që po vjen. Ju e dini, o vëllezër, se ne nuk erdhëm kot te ju. Siç e dini, përpara se të vinim te ju, na keqtrajtuan dhe na poshtëruan në Filipi, por Perëndia na dha guximin për t'ju predikuar ungjillin e tij mes shumë përpjekjesh të mundimshme. Sepse predikimi ynë nuk mbështetej në mashtrime, në ndyrësi e në dredhi, por e predikojmë ungjillin ashtu siç na e besoi Perëndia, pasi dolëm të sprovuar prej tij. Ne nuk predikojmë që t'u pëlqejmë njerëzve, por që t'i pëlqejmë Perëndisë, i cili njeh zemrat tona. Sikurse e dini, ne kurrë nuk kemi përdorur fjalë lajkatuese e as nuk kemi pasur qëllimin për të përfituar, dhe dëshmitar kemi Perëndinë. Ne nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush e as prej të tjerëve. Si apostuj të Krishtit mund t'ju bëheshim barrë, por, përkundrazi, ne u treguam të dhembshur me ju si nëna që kujdeset me ngrohtësi për fëmijët e vet. Ne kishim një dashuri kaq të madhe për ju, saqë ishim të gatshëm jo vetëm t'ju predikonim ungjillin e Perëndisë, por të jepnim edhe jetën për ju. Kaq shumë ju kishim për zemër! Ju e mbani mend, o vëllezër, sesa shumë u munduam e u lodhëm duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush ndërsa ju predikonim ungjillin e Perëndisë. Ju dhe Perëndia jeni dëshmitarë se sjellja jonë kundrejt jush, besimtarëve, ishte e shenjtë, e drejtë dhe e paqortueshme. Ju e dini se jemi sjellë me çdonjërin prej jush si ati me bijtë e vet. Ju kemi këshilluar, ju kemi dhënë zemër dhe ju jemi përgjëruar që të bëni një jetë të denjë për Perëndinë, i cili ju thirri në mbretërinë dhe lavdinë e vet. Prandaj, edhe ne e falënderojmë Perëndinë pa pushim, se kur e dëgjuat prej nesh fjalën e Perëndisë, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por ashtu siç është në të vërtetë, fjalë Perëndie, që vepron në ju që besoni. Ju, vëllezër, u bëtë shkërbim i kishave të Perëndisë që janë në Jude e që besojnë në Krishtin Jezu, sepse edhe ju keni vuajtur të njëjtat gjëra nga bashkëkombësit tuaj, sikurse vuajtën edhe ata nga judenjtë, të cilët vranë Zotin Jezu e profetët dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk e kanë pëlqimin e Perëndisë dhe janë kundër të gjithë njerëzve, duke na penguar t'u predikojmë kombeve, që këto të shpëtohen. Kështu ata e mbushin vazhdimisht kupën e mëkateve të tyre, por më në fund erdhi mbi ta zemërimi i Perëndisë. Por ne, vëllezër, kemi qenë larg jush për një kohë të shkurtër, larg syve, por jo larg zemrës dhe nga malli që kishim u përpoqëm edhe më shumë për t'ju parë përsëri. Prandaj deshëm shumë të vinim te ju, madje unë, Pali, u përpoqa një ose dy herë, por na pengoi Satani. Kush tjetër veç jush do të jetë shpresa jonë, gëzimi ynë, kurora apo krenaria jonë para Zotit Jezu Krisht kur ai të vijë? Po, ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi ynë. Ne nuk po duronim dot më, prandaj vendosëm të qëndronim vetë në Athinë dhe te ju të dërgonim Timoteun, vëllanë tonë, që i shërben Perëndisë bashkë me ne për predikimin e ungjillit të Krishtit, që t'ju forcojë dhe t'ju këshillojë për besimin tuaj, që asnjëri të mos lëkundet nga vuajtjet që po kaloni. Ju vetë e dini se këto gjëra na presin. Kur ishim me ju, ne ju paralajmëruam se do të përndiqeshim, dhe siç e dini kjo ndodhi. Prandaj edhe unë nuk durova dot më dhe e dërgova Timoteun, që të marr vesh për besimin tuaj, se mos tunduesi ju kishte tunduar dhe mundi ynë kishte shkuar dëm. Por Timoteu është kthyer tashmë prej jush dhe ka sjellë lajme të mira për besimin dhe për dashurinë tuaj, dhe se ju ruani kujtime të mira për ne dhe keni mall të na shihni, sikurse kemi edhe ne mall t'ju shohim. Prandaj, o vëllezër, mes gjithë mundimeve e vuajtjeve që po kalojmë, gjetëm ngushëllim falë besimit tuaj. Sepse tani që morëm vesh se ju qëndroni të fortë në Zotin, ne jetojmë me të vërtetë. Me çfarë fjalësh mund ta falënderojmë Perëndinë pas gjithë atij gëzimi që na dhatë para tij? Ne i lutemi me gjithë zemër Perëndisë, natë e ditë, që t'ju shohim nga afër dhe të plotësojmë ato që ende i mungojnë besimit tuaj. Vetë Perëndia, Ati ynë dhe Zoti ynë Jezu na drejtofshin udhën për te ju! Zoti e shtoftë dhe bëftë që të teprojë dashuria juaj për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, ashtu siç është edhe dashuria jonë për ju! Ai i forcoftë zemrat tuaja, që ju të jeni të shenjtë dhe të paqortueshëm para Perëndisë dhe Atit tonë kur Zoti ynë Jezu të vijë bashkë me të gjithë të shenjtët e tij! Amen! Së fundi, o vëllezër, ju mësuat prej nesh sesi duhet të jetoni ashtu siç i pëlqen Perëndisë. Ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në emër të Zotit Jezu, që të vazhdoni të jetoni kështu, madje të përparoni edhe më shumë. Ju i dini udhëzimet që ju dhamë nga ana e Zotit Jezu. Vullneti i Perëndisë është që ju të bëni një jetë të shenjtë, të hiqni dorë nga kurvëria, që çdonjëri prej jush të dijë ta mbajë të shenjtë dhe me nder trupin e vet, dhe të mos ia nënshtrojë atë pasioneve të epshit siç bëjnë kombet që nuk e njohin Perëndinë. Askush të mos e mashtrojë e as të mos i bëjë keq vëllait të vet në këto gjëra, sepse për të gjitha këto do të hakmerret Zoti, gjë që jua kemi thënë dhe jua kemi dëshmuar edhe më parë. Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim. Prandaj kush hedh poshtë këto udhëzime, nuk hedh poshtë një njeri, por hedh poshtë Perëndinë që ju ka dhënë Shpirtin e tij të Shenjtë. Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj, sepse vetë Perëndia ju ka mësuar ta doni njëri-tjetrin. Është e vërtetë që ju e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë, por ne ju bëjmë thirrje o vëllezër, të përparoni edhe më shumë në këtë gjë. Përpiquni të jetoni në paqe, të shikoni punët tuaja dhe ta fitoni jetesën nga duart tuaja, siç ju kemi udhëzuar edhe më parë. Kështu do të jetoni me nder në sy të atyre që janë jashtë kishës dhe nuk do t'ia keni nevojën askujt. O vëllezër, ne nuk duam që të mos e dini se çfarë do të bëhet me ata që kanë vdekur, që të mos hidhëroheni edhe ju si ata që nuk kanë shpresë. Nëse besojmë se Jezui vdiq dhe u ngjall, po kështu edhe Perëndia do t'i ngjallë bashkë me të ata që vdiqën dhe që kishin besuar në të. Këtë po jua themi me fjalët e Zotit: ne të gjallët, që do të jemi ende gjallë kur të vijë Zoti, nuk do ta takojmë Zotin përpara atyre që kanë vdekur, sepse vetë Zoti, me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit që kishin besuar në Krishtin do të ngjallen të parët. Pastaj, ne që do të kemi mbetur ende gjallë, do të rrëmbehemi bashkë me ata në re për ta takuar Zotin lart; dhe kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin. Prandaj ngushëllojeni njëri-tjetrin me këto fjalë. O vëllezër, sa për kohën dhe për orën se kur do të ndodhin këto gjëra, nuk keni nevojë t'ju shkruaj, pasi ju vetë e dini mirë se Dita e Zotit do të vijë siç vjen vjedhësi natën. Kur t'ju thonë: «kemi paqe dhe siguri», atëherë mbi ta do të bjerë papritur shkatërrimi. Ata nuk do t'i shpëtojnë dot dhe do të vuajnë si gruaja në dhimbjet e lindjes. Por ju, o vëllezër, nuk jeni në errësirë që ajo ditë t'ju zërë në befasi, si vjedhësi; ju të gjithë jeni bij të dritës dhe bij të ditës. Ne nuk jemi as të natës, as të errësirës. Prandaj të mos flemë si të tjerët, por të vigjilojmë dhe të jemi të kthjellët. Sepse ata që flenë, flenë natën dhe ata që dehen, dehen natën. Por ne, meqenëse jemi të ditës, le të jemi të kthjellët, duke veshur besimin dhe dashurinë si parzmore dhe shpresën e shpëtimit si përkrenare. Perëndia nuk na caktoi të vuajmë zemërimin e madh, por na caktoi të marrim shpëtimin përmes Zotit tonë Jezu Krisht, i cili vdiq për ne. Kështu, kur të vijë ai, edhe nëse vigjilojmë, edhe nëse jemi duke fjetur, do të jetojmë bashkë me të. Prandaj ngushëlloni dhe ndihmoni njëri-tjetrin për t'u rritur në besim, sikurse edhe po bëni. Tani, o vëllezër, ju lutemi t'i vlerësoni ata që Zoti i ka ngarkuar për të qenë drejtuesit tuaj, që ju shërbejnë me mund dhe që ju këshillojnë. Çmojini dhe nderojini me dashuri për punën që bëjnë. Jetoni në paqe mes jush. O vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni ata që nuk jetojnë siç duhet, t'i ngushëlloni zemërlëshuarit, t'i ndihmoni të dobëtit në besim dhe të jeni të duruar me të gjithë. Kini mendjen se mos ndokush ia kthen dikujt të keqen me të keqe. Gjithmonë kërkoni të mirën për njëri-tjetrin dhe për të gjithë. Gëzohuni gjithmonë. Lutuni pa pushim. Falënderoni për çdo gjë, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju përmes Krishtit Jezu. Mos e shuani Shpirtin. Mos i përbuzni profecitë. Shqyrtoni çdo gjë, mbani atë që është e mirë. Hiqni dorë nga çdo lloj ligësie. Vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë plotësisht dhe gjithë qenia juaj, shpirt, mendje e trup qoftë e paqortueshme kur të vijë Zoti ynë Jezu Krisht. Perëndia që ju thirri është besnik dhe do ta bëjë atë që ka thënë. Vëllezër, lutuni edhe për ne. Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë. Ju përbetohem në emër të Zotit, që kjo letër t'u lexohet të gjithë vëllezërve. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju! Pali, Silvani dhe Timoteu, po i shkruajmë kishës së selanikasve që i përket Perëndisë, Atit tonë, dhe Zotit Jezu Krisht: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! Ne duhet ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, dhe kjo është e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po shtohet. Prandaj ne vetë krenohemi me ju para kishave të Perëndisë për durimin tuaj dhe për besimin që keni në tërë përndjekjet e vuajtjet që po kaloni. Kjo tregon se Perëndia gjykon me drejtësi dhe do t'ju bëjë të denjë për mbretërinë e tij, për shkak të së cilës po vuani. Perëndia do të bëjë atë që është e drejtë dhe do t'u japë mundime atyre që po ju mundojnë, ndërsa ju do t'ju çlirojë nga mundimet që po kaloni, ashtu si do të na çlirojë edhe ne kur të vijë Zoti Jezu nga qielli bashkë me engjëjt e tij të fuqishëm. Ai do të vijë me zjarr flakërues për të marrë shpagim nga ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu. Këta do të ndëshkohen me shkatërrimin e amshuar, të ndarë nga prania e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij. Atë ditë ai do të vijë për t'u përlëvduar bashkë me të shenjtët e vet e për t'u admiruar bashkë me të gjithë ata që i kanë besuar, sepse ju i besuat dëshmisë sonë. Ne lutemi gjithnjë për ju, që Perëndia t'ju bëjë të denjë për të përmbushur thirrjen e tij dhe që me fuqinë e tij të arrini çdo qëllim të mirë e të përsosni çdo vepër të besimit tuaj. Kështu, emri i Zotit tonë Jezu do të përlëvdohet prej jush dhe ju do të përlëvdoheni prej tij, sipas hirit të Perëndisë tonë dhe të Zotit Jezu Krisht. Vëllezër, në lidhje me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht kur ne do të takohemi me të, ju lutemi mos lejoni që t'jua marrin lehtësisht mendjen e t'ju turbullojnë me ndonjë vegim gjoja prej Shpirtit, me ndonjë fjalë apo me ndonjë letër të dërguar gjoja nga ne, e t'ju thonë se paska ardhur dita e Zotit. Askush të mos ju mashtrojë në asnjë mënyrë, sepse ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë koha e mohimit të besimit dhe pa u shfaqur njeriu i paudhë, biri i humbjes. Ai do të kundërshtojë dhe do të ngrejë krye ndaj gjithçkaje që quhet Perëndi apo që ka lidhje me adhurimin e Perëndisë. Këtë do ta bëjë që të ulet vetë në tempullin e Perëndisë duke u vetëshpallur perëndi. A nuk e mbani mend se këto gjëra jua kam thënë kur isha ende me ju? Tashmë ju e dini se çfarë e pengon atë që të shfaqet kur të vijë koha. Fuqia e fshehtë e paudhësisë është tashmë në veprim, por që ajo të shfaqet plotësisht, duhet të largohet ai që e ndalon. Dhe atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti Jezu do ta shkatërrojë me hukatjen e tij dhe do ta zhbëjë me shkëlqimin e ardhjes së tij. I paudhi do të vijë me fuqinë e Satanit dhe do të bëjë gjithfarë shenjash e mrekullish të fuqishme e të rreme. Ai do të mashtrojë me padrejtësi të gjithë ata që shkojnë drejt humbjes, sepse ata nuk e deshën të vërtetën që do t'i kishte shpëtuar. Prandaj Perëndia do t'u dërgojë atyre një forcë mashtruese, që ata t'i besojnë gënjeshtrës dhe që të gjykohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por pëlqyen padrejtësinë. Ne duhet ta falënderojmë Perëndinë gjithmonë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi për të qenë të parët që do të shpëtonit përmes Shpirtit që ju shenjtëron dhe përmes besimit tek e vërteta. Ai ju thirri përmes ungjillit tonë, që të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht. Kështu pra, o vëllezër, qëndroni të fortë dhe ruani traditat që ju mësuam, qoftë përmes predikimit, qoftë përmes letrës sonë. Vetë Zoti ynë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, i cili na deshi dhe na dha ngushëllim të amshuar dhe shpresën e mirë me anë të hirit, i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë për çdo vepër e për çdo fjalë të mirë! Së fundi, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet e të përlëvdohet ashtu siç ndodhi edhe mes jush. Lutuni edhe që të shpëtojmë nga njerëzit e mbrapshtë e të ligj, sepse jo të gjithë besojnë në Perëndinë. Por Zoti është besnik dhe do t'ju forcojë e do t'ju ruajë nga i ligu. Zoti na bën të kemi besim se ju po i bëni dhe do të vazhdoni t'i bëni gjërat për të cilat ju kemi porositur. Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Perëndisë e në durimin e Krishtit. Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht, të largoheni nga çdo vëlla që jeton në përtaci e jo sipas traditës që morët prej nesh. Dhe ju e dini sesi duhet të na shkërbeni ne, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim mes jush e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt. Ne e kemi pushtetin për ta bërë këtë, por vepruam kështu që të na shkërbeni ne. Edhe kur ishim me ju, ju porositëm se ai që nuk dëshiron të punojë, as të mos hajë. Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merren me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t'i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e gojës. Ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën. Nëqoftëse ndokush nuk i bindet fjalëve që po ju shkruajmë në këtë letër, shënojeni këtë njeri e mos u shoqëroni me të në mënyrë që ai të turpërohet. Megjithatë, mos e shihni si armik, por qortojeni si vëlla. Vetë Zoti i paqes ju dhëntë paqen gjithnjë e në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë! Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali. Kjo është shenja ime në çdo letër. Kështu shkruaj unë. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë! Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, dhe Krishtit Jezu, shpresës sonë, po të shkruaj ty Timote, birit të vërtetë në besim: hiri, mëshira dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Jezu Krishti, Zoti ynë, qofshin me ty! Ashtu si të porosita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes dhe urdhëroi disa të mos u mësojnë besimtarëve një mësim tjetër dhe të mos merren me mite dhe gjenealogji pa fund, të cilat shkaktojnë grindje dhe nuk i shërbejnë planit shpëtimtar të Perëndisë që e njohim përmes besimit. Synimi i këtij urdhri është dashuria që vjen nga një zemër e dëlirë, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga një besim pa hipokrizi. Disa, duke shmangur këto gjëra, janë kthyer te bisedat pa kuptim. Ata duan të jenë mësues të ligjit të Moisiut, pa kuptuar as ato që thonë, as ato që pohojnë me kaq siguri. Ne e dimë se ligji është i mirë, nëse njeriu e përdor si duhet. Po ashtu e dimë se ligji nuk u dha për të drejtin, por për shkelësit e të pabindurit, për të ligjtë e mëkatarët, për të pafetë e të patënzonët, për ata që vrasin atë e nënë, për vrasësit, për kurvarët, për ata që shkojnë me meshkuj, për pengmarrësit, për gënjeshtarët, për ata që bëjnë be të rreme dhe çfarëdo gjëje tjetër që kundërshton mësimin e shëndoshë. Ky mësim është sipas ungjillit të lavdisë së të lumit Perëndi, ungjill që m'u besua mua. I jam mirënjohës Krishtit Jezu, Zotit tonë, që më dha fuqi, sepse më çmoi besnik dhe më vuri në shërbim të tij, ndonëse më përpara e kisha fyer, përndjekur dhe sharë. Por ai më mëshiroi, sepse veprova nga padija, kur isha larg besimit të vërtetë. Hiri i Zotit tonë m'u dha me tepri bashkë me besimin e dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu. Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t'u pranuar plotësisht: Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. Por, prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të shfaqë në mua së pari tërë durimin, si shembull për ata që do të besojnë në të për jetën e amshuar. Prandaj mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi, i qoftë nder e lavdi, në shekuj të shekujve! Amen! Këtë detyrë po ta besoj ty, o biri im Timote, sipas profecive që janë thënë për ty. Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë! Ruaje besimin dhe ndërgjegjen e pastër, që disa e hodhën tej dhe e mbytën kështu anijen e besimit. Ndër këta janë Himeneu e Aleksandri, të cilët ia dorëzova Satanit, që të mësojnë të mos fyejnë Perëndinë. Para së gjithash, të bëj thirrje që të bëhen përgjërime, lutje, ndërmjetësime dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit dhe për të gjithë ata që kanë pushtet, që të mund të bëjmë një jetë me paqe e qetësi, plot përkushtim ndaj Perëndisë dhe dinjitet. Kjo gjë është e mirë dhe e pranueshme para Perëndisë, shpëtimtarit tonë. Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen e të arrijnë ta njohin të vërtetën plotësisht, sepse një është Perëndia dhe një është ndërmjetësi mes Perëndisë e njerëzve: njeriu Jezu Krisht. Ai e dha veten si shpengim për të gjithë dhe këtë dëshmi e dha në kohën e duhur. Për këtë u caktova predikues e apostull, për t'u mësuar kombeve besimin dhe të vërtetën. Po them të vërtetën, nuk gënjej. Prandaj dëshiroj që burrat në çdo vend të luten duke ngritur lart duar të shenjta, pa mëri e pa grindje. Po ashtu gratë të vishen me rroba të hijshme, me thjeshtësi e maturi, jo me gërsheta e ar, as me margaritarë e rroba të kushtueshme, por me vepra të mira, siç u ka hije grave që i druhen Perëndisë. Gruaja le të mësojë në heshtje e me nënshtrim të plotë. Nuk e lejoj gruan të mësojë të tjerët dhe as të ushtrojë pushtet mbi burrin, por të rrijë urtë. Sepse Adami u krijua i pari, pastaj Eva. Nuk ishte Adami ai që u mashtrua, por gruaja u mashtrua dhe shkeli urdhrin e Perëndisë. Gruaja do të shpëtohet përmes lindjes së fëmijëve, nëse qëndron në besim, në dashuri dhe në shenjtëri me maturi. Kjo fjalë është e besueshme: nëse dikush kërkon të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë. Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje, i kthjellët, i matur, i sjellshëm, mikpritës, mësues i zoti, jo pijanec, jo i dhunshëm, por i durueshëm, jo grindavec, jo lakmitar parash. Ai duhet ta drejtojë mirë shtëpinë e vet e t'i ketë fëmijët të bindur e shumë të sjellshëm. Nëse dikush nuk di sesi të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? Peshkopi të mos jetë i ri në besim, që të mos i rritet mendja e të mos bjerë në të njëjtin dënim me djallin. Ai duhet të gëzojë edhe respektin e atyre që janë jashtë kishës, që të mos përgojohet e të bjerë në kurthin e djallit. Po ashtu edhe dhjakët duhet të jenë të denjë, jo me dy fytyra, jo të dhënë pas verës së tepërt, as lakmitarë fitimesh të pandershme. Ata duhet ta mbajnë me ndërgjegje të pastër të fshehtën e besimit. Këta le të vihen më parë në provë, pastaj nëse janë të paqortueshëm, le të shërbejnë. Po ashtu gratë e tyre të jenë me dinjitet, të mos shpifin, të jenë të përmbajtura e besnike në gjithçka. Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën fitojnë një emër të mirë për veten dhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jezu. Këto gjëra po t'i shkruaj me shpresë se do të vij te ti së shpejti, por nëse vonohem, të dish sesi duhet të sillet njeriu në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës. Pa dyshim, e madhe është e fshehta e besimit: Perëndia u shfaq në trup njerëzor, u shpall i drejtë nga Shpirti, u pa nga engjëjt, u predikua mes kombeve, u besua në botë, u ngrit në lavdi. Shpirti e thotë qartë se në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke dëgjuar shpirtrat e rreme dhe mësimet e djajve. Ata do të mashtrohen nga njerëz hipokritë e gënjeshtarë, ndërgjegjja e të cilëve është damkosur. Ata ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hani nga ushqimet që Perëndia i krijoi. Ai i krijoi këto ushqime që, ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën, t'i hanë duke e falënderuar. Çdo gjë që Perëndia krijoi është e mirë dhe asgjë nuk është për t'u hedhur nëse merret duke e falënderuar atë, sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja. Nëse ua mëson këto gjëra vëllezërve, do të jesh një shërbëtor i mirë i Krishtit Jezu, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë që ke ndjekur. Shmangu, pra, nga përrallat e marra dhe profane të plakave dhe ushtroje veten në përkushtimin ndaj Perëndisë, sepse ushtrimi i trupit është pak i dobishëm, por përkushtimi ndaj Perëndisë është i dobishëm për gjithçka. Ky përkushtim mbart premtimin e jetës së tashme dhe asaj të ardhshme. Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë të pranohet plotësisht. Për këtë, pra, po mundohemi e po luftojmë, sepse kemi shpresë në Perëndinë e gjallë që është shpëtimtari i të gjithë njerëzve, sidomos i besimtarëve. Këto gjëra t'ua urdhërosh e t'ua mësosh të tjerëve. Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët me fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim e në dëlirësi. Kushtoju leximit të fjalës para bashkësisë, këshillimit dhe mësimdhënies derisa të vij unë. Mos e lër pas dore dhuntinë që ke, e cila t'u dha përmes profecisë dhe vënies së duarve nga pleqtë e kishës. Mbaji mend këto gjëra e kushtoju atyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. Kujdesu për veten dhe për mësimin, këmbëngul në këto gjëra, pasi duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë. Të moshuarin mos e qorto ashpër, por këshilloje si atë, të rinjtë si vëllezër, të moshuarat si nëna, të rejat si motra, me shumë dëlirësi. Ndero vejushat që janë vërtet të veja. Por nëse një vejushë ka fëmijë ose nipër, këta le të mësojnë, së pari, të tregojnë përkujdesje për njerëzit e shtëpisë së tyre dhe t'ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse këtë gjë pëlqen Perëndia. Por ajo që është vërtet vejushë dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe vazhdon në përgjërime e lutje natë e ditë. Ndërsa ajo që jeton në shthurje është e vdekur edhe pse rron. Kështu porositi vejushat, që të jenë të paqortueshme. Por kush nuk kujdeset për të afërmit e sidomos për ata të shtëpisë së vet, ky e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një i pafe. Vejusha të regjistrohet në listën e vejushave kur të jetë jo më pak se gjashtëdhjetë vjeçe dhe të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm. Ajo duhet të njihet për vepra të mira: i ka edukuar mirë fëmijët, ka qenë mikpritëse, u ka larë këmbët të shenjtëve, i ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar çdo vepre të mirë. Por mos prano vejusha më të reja, sepse kur dëshirojnë të martohen përsëri, largohen nga Krishti, duke marrë gjykimin për shkak se e lanë mënjanë besimin e parë. Në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, dhe jo vetëm përtace, por flasin gjëra që nuk duhet, duke shpifur e duke u marrë me llafe. Prandaj dua që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak kundërshtarit të na përflasë, pasi disa tashmë e lanë udhën e drejtë dhe ndoqën Satanin. Nëse ndonjë besimtare ka ndonjë vejushë në shtëpi, le ta ndihmojë atë e të mos i bëhet barrë kishës, kështu që kisha të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha. Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie. Sepse Shkrimi thotë: kaut që shin, mos i vër kapistër dhe: «Punëtori e meriton pagën e vet». Kundër plakut të kishës mos prano padi, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë. Ata që mëkatojnë, qortoji para të gjithëve, që të kenë frikë edhe të tjerët. Të përbetohem para Perëndisë dhe Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykim e të mos bësh asgjë me anësi. Mos u nxito që përmes vënies së duarve t'i japësh përgjegjësi dikujt e as mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve. Ruaje veten të dëlirë! Mos pi më vetëm ujë, por pi pak verë për shkak të stomakut e të sëmundjeve të tua të shpeshta. Disa njerëzve u duken qartë mëkatet, edhe përpara se të gjykohen, ndërsa disa të tjerëve u dalin sheshit më pas. Po ashtu edhe veprat e mira duken qartë, ndërsa ato që nuk duken qartë, nuk mund rrinë të fshehura përgjithnjë. Të gjithë ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë le të tregojnë nderim për zotërinjtë e tyre, që të mos shahen emri i Perëndisë dhe mësimi ynë. Ata që i kanë besimtarë zotërinjtë e tyre le të mos i shpërfillin, sepse janë vëllezër. Përkundrazi, t'u shërbejnë edhe më mirë, sepse u shërbejnë vëllezërve besimtarë e të dashur. Këto gjëra mësoju e këshilloju të tjerëve. Kush u mëson njerëzve një mësim tjetër e nuk ndjek fjalët e vërteta të Zotit tonë Jezu Krisht dhe mësimet e besimit tonë, ai është mburravec e nuk di asgjë. Atij i janë bërë sëmundje rragatjet e kapja pas fjalëve. Nga këto vijnë smira, grindjet, fyerjet, dyshimet e liga, zënkat pa fund të njerëzve me mendje të shthurur, të privuar nga e vërteta dhe që e shohin besimin në Perëndinë si mjet përfitimi. Besimi në Perëndinë është pasuri e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka, sepse asgjë nuk kemi sjellë në këtë botë dhe asgjë nuk mund të marrim prej saj. Nëse kemi ushqim e veshmbathje, le të mjaftohemi me kaq. Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurthin e djallit dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, që i fundosin njerëzit në rrënim e shkatërrim. Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Duke rendur pas parasë, disa u larguan nga besimi dhe i shkaktuan vetes shumë dhimbje. Por ti, o njeri i Perëndisë, largohu nga këto gjëra. Përkundrazi kërko drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, durimin e zemërbutësinë. Lufto luftën e mirë të besimit dhe rrok jetën e amshuar, për të cilën të thirri Perëndia e për të cilën ke dhënë dëshminë e mirë të besimit para shumë dëshmitarëve. Të bëj thirrje para Perëndisë, që i jep jetë gjithçkaje dhe para Krishtit Jezu, që dha dëshminë e mirë në kohën e Ponc Pilatit, që ti ta zbatosh këtë urdhërim të panjollë e të paqortueshëm deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kur të vijë koha, ardhjen e tij do ta tregojë Perëndia, i lumi, i vetmi sundues, mbreti i mbretërve e Zoti i zotërve. Vetëm ai është i pavdekshëm e banon në dritën që asnjeri nuk i afrohet dot. Atë nuk e ka parë asnjë njeri e as nuk mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe fuqia e amshuar! Amen! Pasanikët e kohës së tanishme urdhëroji të mos u rritet mendja, as të mos e mbajnë shpresën në pasigurinë e pasurisë, por në Perëndinë që na jep gjithçka me zemërgjerësi për të mirën tonë. Urdhëroji të bëjnë të mirën, të jenë të pasur në vepra të mira, të jenë zemërgjerë dhe të gatshëm për të dhënë. Kështu ata do të grumbullojnë për vete një thesar e do të vënë themel të mirë për të ardhmen, që të marrin jetën e vërtetë. O Timote, ruaje çka t'u besua! Largohu nga fjalët e zbrazëta, që janë kundër besimit, si dhe nga kundërthëniet e së ashtuquajturës dituri, të cilën disa e pranuan dhe humbën besimin. Hiri qoftë me ju! Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu, po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty! Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë. Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim. Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti. Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia. Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë. Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë. Perëndia na shpëtoi e na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu përpara fillimit të kohëve. Ky hir u bë i dukshëm tani përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu, i cili e shfuqizoi vdekjen dhe nxori në dritë jetën e pavdekësinë përmes ungjillit. Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues. Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë. Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu. Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne. Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni. Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia. Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti. Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes. Ti, biri im, forcohu nga hiri që vjen përmes Krishtit Jezu. Ato që dëgjove prej meje para shumë dëshmitarëve besojua njerëzve besnikë, të cilët do të jenë të zotët të mësojnë edhe të tjerët. Bashkohu në vuajtje si ushtar i mirë i Krishtit Jezu. Asnjë ushtar që është nën armë, nuk ngatërrohet me punët e jetës së përditshme, sepse do që t'i pëlqejë eprorit që e thirri ushtar. Po ashtu, kush futet në garë, nuk kurorëzohet po të mos ketë luajtur sipas rregullave. Bujku që mundohet duhet të marrë i pari pjesën e fryteve. Mendo për këto që po të them, sepse Zoti do të të ndihmojë të kuptosh gjithçka. Kujto Jezu Krishtin, të ngjallur prej të vdekurve, pasardhës i Davidit, sipas ungjillit tim, për të cilin unë po vuaj deri në pranga si keqbërës. Por fjala e Perëndisë nuk lidhet me pranga. Prandaj unë i duroj të gjitha për hir të të zgjedhurve, që edhe ata të marrin shpëtimin përmes Krishtit Jezu bashkë me lavdinë e amshuar. Kjo fjalë është e besueshme: Nëse kemi vdekur me Krishtin, edhe do të jetojmë me të; nëse durojmë, edhe do të mbretërojmë me të; nëse do ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë; nëse jemi mosbesues, ai mbetet besnik, pasi ai nuk mund të mohojë veten. Këto gjëra t'ua kujtosh të gjithëve, duke iu përbetuar para Perëndisë të mos grinden me fjalë që nuk sjellin asnjë dobi, por çojnë në shkatërrim ata që i dëgjojnë. Mundohu të dalësh i sprovuar para Perëndisë, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që e shpjegon drejt fjalën e së vërtetës. Shmangu nga fjalët e zbrazëta që janë kundër besimit, sepse ato do të shtojnë mosbesimin e njerëzve dhe fjalët e tyre do të përhapen si gangrenë. Ndër ta janë Himeneu e Fileti, që dolën nga udha e së vërtetës, duke thënë se ngjallja tashmë ka ndodhur dhe kështu po përmbysin besimin e disave. Megjithatë, themelet e forta që vuri Perëndia qëndrojnë të patundura dhe mbajnë këtë vulë: Zoti i njeh të vetët dhe: «Le të largohet nga paudhësia kushdo që thërret emrin e Zotit». Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari e argjendi, por edhe prej druri e balte; disa për nderim, të tjerat për përçmim. Prandaj, kush e pastron veten nga këto gjëra, do të jetë enë për nderim, e shenjtëruar, e dobishme për të zotin dhe e përgatitur për çdo vepër të mirë. Braktisi epshet rinore dhe rend pas drejtësisë, besimit, dashurisë e paqes, bashkë me ata që i thërrasin Zotit me zemër të pastër. Shmang edhe bisedat e marra e pa kuptim, duke e ditur se sjellin grindje. Shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet, por duhet të jetë i butë me të gjithë, mësues i zoti, që duron të keqen, që i udhëzon me butësi kundërshtarët, me shpresën se Perëndia do t'i bëjë të pendohen për të njohur të vërtetën. Kështu ata mund të vijnë në vete e të dalin nga kurthi i djallit, i cili i mban robër të vullnetit të tij. Duhet ta dish se në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira. Njerëzit do të jenë vetëdashës, lakmitarë parash, mburravecë e mendjemëdhenj. Ata do të fyejnë Perëndinë dhe nuk do t'u binden prindërve. Do të jenë mosmirënjohës, të pafe, pa dashuri njerëzore, zemërakë, shpifës, të papërmbajtur, shtazarakë, që nuk e duan mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur dhe fodullë. Ata do të jepen më shumë pas kënaqësive, sesa do të duan Perëndinë; do të jenë të përkushtuar ndaj tij në dukje, por në të vërtetë do ta kenë mohuar fuqinë e besimit. Largohu edhe nga këta. Sepse disa prej këtyre përvidhen në shtëpitë e grave mendjelehta e mëkatare dhe i bëjnë për vete. Këto gra sundohen nga dëshira të ndryshme dhe megjithëse përpiqen gjithnjë të mësojnë, nuk arrijnë asnjëherë të njohin plotësisht të vërtetën. Ashtu si Janesi e Jambresi kundërshtuan Moisiun, po kështu edhe këta njerëz i kundërvihen të vërtetës, sepse janë mendjeprishur e mospërfillës ndaj besimit. Këta nuk do të shkojnë shumë larg, sepse marrëzia e tyre do të duket sheshit para të gjithëve, ashtu sikurse ndodhi edhe me Janesin e Jambresin. Përkundrazi, ti Timote ke ndjekur nga afër mësimin tim, sjelljen, qëllimin, besimin, durimin, dashurinë, qëndresën, përndjekjet e vuajtjet që pësova në Antioki, në Ikon e në Listër. Durova shumë përndjekje, por Zoti më shpëtoi nga të gjitha. Në të vërtetë, të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë të përkushtuar ndaj Krishtit Jezu, do të përndiqen. Ndërsa njerëzit e ligj e mashtrues do të bëhen edhe më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar. Por ti vazhdo të qëndrosh në ato që mësove e për të cilat u binde plotësisht, se ti e di prej kujt i mësove. Që nga fëmijëria ti i ke njohur Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të japin urtinë që të çon drejt shpëtimit përmes besimit në Krishtin Jezu. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje e për edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përgatitur plotësisht dhe i aftë për çdo vepër të mirë. Po të përbetoj para Perëndisë dhe Krishtit Jezu, që do të gjykojë të gjallët e të vdekurit kur të vijë e të mbretërojë: prediko fjalën e Perëndisë me këmbëngulje e në çdo kohë, ndreq, qorto e këshillo duke i mësuar të tjerët me shumë durim. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por sipas dëshirave të tyre do të mbledhin rreth vetes mësues që iu gudulisin veshët. Ata nuk do t'i vënë vesh të vërtetës e do t'u kthehen përrallave. Por ti ji me mendje të kthjellët për çdo gjë, duro vuajtjen, kryeje punën e ungjilltarit dhe përmbushe shërbesën tënde. Ndërsa unë tashmë po derdhem si pija që i kushtohet Perëndisë për flijim dhe koha e lamtumirës sime erdhi. Luftën e mirë e luftova, garën e përfundova dhe besimin e ruajta. Pas kësaj më pret kurora e drejtësisë, që Zoti, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë dhe jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që kanë pritur me dashuri ardhjen e tij. Nxito të vish sa më parë tek unë, sepse Dema, duke dashur këtë botë, më braktisi e iku në Selanik. Kreski shkoi në Galati, ndërsa Titi në Dalmaci. Vetëm Luka është me mua. Merre edhe Markun me vete, se ai është i dobishëm për shërbesën time. Tikikun e dërgova në Efes. Kur të vish, më sill gunën që i lashë Karpit në Troadë dhe librat, sidomos pergamenat. Aleksandri, bakërpunuesi, më bëri shumë të këqija; Zoti do t'ia shpërblejë sipas veprave të tij. Ruaju edhe ti prej tij, sepse ai i kundërshtoi fort fjalët tona. Në mbrojtjen time të parë asnjeri nuk më përkrahu, por të gjithë më braktisën. Kjo mos iu numëroftë për faj! Por Zoti qëndroi me mua e më forcoi, që përmes meje predikimi të kryhej plotësisht dhe të dëgjonin të gjitha kombet. Kështu i shpëtova gojës së luanit. Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë e do të më shpëtojë për të më çuar në mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij, në shekuj të shekujve! Amen! Të fala Priskës e Akuilit dhe atyre të shtëpisë së Onesiforit. Erasti mbeti në Korint, ndërsa Trofimin e lashë të sëmurë në Milet. Nxito të vish para dimrit. Të bëjnë të fala Eubuli, Pudi, Lini, Klaudia dhe të gjithë vëllezërit. Zoti qoftë me shpirtin tënd! Hiri qoftë me ju! Unë, Pali, jam shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për t'u predikuar besimin të zgjedhurve të Perëndisë e për t'u bërë të njohur të vërtetën e besimit tonë, që të kenë shpresën e jetës së amshuar. Perëndia që nuk gënjen, e premtoi këtë jetë që përpara fillimit të kohëve dhe në kohën e duhur e bëri të njohur me fjalën e tij në predikimin që m'u besua sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë. Po të shkruaj ty, o Tit, që je për mua bir i vërtetë në besimin tonë të përbashkët: hiri dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, shpëtimtari ynë, qofshin me ty! Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të rregullosh gjërat e papërfunduara e të caktosh pleq nëpër kisha në çdo qytet, ashtu siç të urdhërova. Plaku i kishës duhet të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje, t'i ketë fëmijët besimtarë që nuk përfliten për shthurje a për mosbindje. Peshkopi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo përbuzës, as gjaknxehtë, as i dhënë pas verës, as i dhunshëm, as lakmitar përfitimesh të pandershme. Por ai duhet të jetë mikpritës, dashamirës, i urtë, i drejtë, i shenjtë e i matur. Ai duhet t'i qëndrojë besnik fjalës së besueshme të mësimit që mori, që të jetë i aftë të këshillojë të tjerët me mësimin e shëndoshë e të bindë ata që e kundërshtojnë. Në të vërtetë ka shumë të pabindur, dërdëllitës e mashtrues, veçanërisht mes besimtarëve të rrethprerë. Atyre u duhet mbyllur goja, sepse për të përfituar në mënyrë të pandershme po shkatërrojnë familje të tëra, duke u mësuar njerëzve gjëra që nuk duhen. Njëri nga ata, njëri nga profetët e tyre, ka thënë: «Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, shtazarakë të ligj dhe grykës përtacë». Kjo dëshmi është e vërtetë. Prandaj qortoji rreptë që të jenë të shëndetshëm në besim, pa përfillur përrallat e judenjve dhe urdhërimet e njerëzve që shtrembërojnë të vërtetën. Të gjitha gjërat janë të pastra për të pastrit, por për të ndoturit e të pafetë asgjë nuk është e pastër. Atyre u është ndotur edhe mendja, edhe ndërgjegjja. Pohojnë se e njohin Perëndinë, por me veprat e tyre e mohojnë duke qenë të neveritshëm, të pabindur e të paaftë për ndonjë vepër të mirë. Por ti mësoju të tjerëve ato që përkojnë me mësimin e shëndoshë. Të moshuarit të jenë me mendje të kthjellët, të respektueshëm, të urtë, të fortë në besim, në dashuri e në durim. Po ashtu, edhe të moshuarat të kenë një sjellje prej besimtareje, të mos jenë shpifëse e të mos bëhen skllave të verës së tepërt. Ato t'u mësojnë të rejave të mirën, duke i këshilluar me urti që të duan burrat dhe fëmijët e tyre, të jenë të urta, të dëlira, të zellshme në punët e shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që të mos shahet fjala e Perëndisë. Po kështu këshillo të rinjtë të jenë të matur për çdo gjë. Tregoje veten shembull të veprave të mira. Kur u mëson të tjerëve besimin, të jesh i sinqertë e me dinjitet. Përdor fjalët e duhura e që nuk kanë të sharë, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë asgjë të keqe për të thënë kundër nesh. Skllevërit t'u nënshtrohen zotërinjve të tyre në gjithçka, të përpiqen t'u pëlqejnë atyre, të mos ua kthejnë fjalën e të mos i vjedhin, por të tregohen tërësisht të mirëbesueshëm, që mësimi i Perëndisë, shpëtimtarit tonë, të zbukurohet në çdo gjë. Hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve. Ky hir na mëson të mohojmë jetën e mbrapshtë dhe dëshirat e liga të botës, të jetojmë me maturi, me drejtësi e të jemi të përkushtuar ndaj Perëndisë në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe ardhjen e lavdisë së Perëndisë madhështor dhe shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Ai e dha veten për ne, që të na shpengojë nga çdo paudhësi dhe të na bëjë një popull të pastër për veten e tij dhe të zellshëm për vepra të mira. Këto gjëra thuaju të tjerëve dhe këshillo e qorto me pushtet të plotë. Mos lejo njeri të të përçmojë. Kujtoju besimtarëve t'u nënshtrohen parive e pushtetarëve, të jenë të bindur, të gatshëm për çdo vepër të mirë, të mos fyejnë askënd, të jenë të paqtë, të durueshëm dhe të tregojnë butësi me të gjithë njerëzit. Dikur edhe ne ishim të marrë, të pabindur, të mashtruar, skllevër të dëshirave e të epsheve të ndryshme. Ne jetonim në ligësi e në smirë, të urryer e duke urryer njëri-tjetrin. Por kur u shfaq për njerëzit mirësia dhe dashuria e Perëndisë, shpëtimtarit tonë, ai na shpëtoi, jo për shkak të ndonjë vepre drejtësie që bëmë ne, por për shkak të mëshirës së tij, përmes larjes së rilindjes e përtëritjes që Shpirti i shenjtë kryen në ne. Këtë Shpirt të Shenjtë ai e dikoi mbi ne pa u kursyer, përmes Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë, që ne, duke u bërë të drejtë prej hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së amshuar që është shpresa jonë. Kjo fjalë është e besueshme. Unë dua që këto gjëra t'i pohosh me siguri, me qëllim që ata që i kanë besuar Perëndisë të përkushtohen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit. Por ti shmangu nga bisedat e marra, gjenealogjitë, grindjet e zënkat për ligjin, pasi ato janë të padobishme dhe të kota. Shmangu edhe nga përçarësit, pasi t'i kesh qortuar një ose dy herë. Ti e di se njerëz të tillë janë çoroditur dhe mëkatojnë duke dënuar veten. Kur të dërgoj te ti Artemain ose Tikikun, nxito të vish tek unë në Nikopojë, se kam vendosur ta kaloj dimrin aty. Kujdesu për udhëtimin e Zenës, juristit, dhe të Apolonit, që të mos u mungojë asgjë. Edhe tanët le të mësojnë t'u kushtohen veprave të mira, që të mund të përballojnë nevojat e ngutshme e që jeta e tyre të jetë e frytshme. Të përshëndesin të gjithë ata që janë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me ju të gjithë! Unë, Pali, i burgosur për Krishtin Jezu dhe vëlla Timoteu, po i shkruajmë Filemonit të dashur e bashkëpunëtorit tonë, Apfisë, motrës sonë, Arkipit, bashkëluftëtarit tonë dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde: hiri dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht, qofshin me ju. E falënderoj Perëndinë tim gjithmonë kur të kujtoj në lutjet e mia, sepse po dëgjoj për dashurinë tënde për të gjithë të shenjtët dhe për besimin që ke në Zotin Jezu Krisht. I lutem Perëndisë që besimi që na bashkon të jetë i gjallë në ty, për të njohur çdo gjë të mirë që kemi e që na çon drejt Krishtit. Dashuria jote, o vëlla, më ka gëzuar shumë e më ka ngushëlluar, sepse zemrat e të shenjtëve janë përtërirë përmes teje. Prandaj, edhe pse për shkak të Krishtit kam liri të plotë të të urdhëroj ç'duhet të bësh, parapëlqej të të kërkoj diçka në emër të dashurisë. Unë Pali, i plakur, por tani edhe i burgosur për Krishtin Jezu, të lutem për Onesimin, birin tim në Jezu Krishtin, që e ktheva në besimin tonë kur isha në pranga. Onesimi, që dikur ishte i padobishëm për ty, tani është i dobishëm edhe për ty, edhe për mua. Dhe ja ku po ta kthej atë që është vetë zemra ime. Unë doja ta mbaja atë pranë vetes, që të më shërbente në vendin tënd ndërsa jam në pranga për shkak të ungjillit. Por nuk desha të bëja asgjë pa dijeninë tënde, që vepra jote e mirë të mos bëhet si me detyrim, por të jetë e vullnetshme. Ai ndoshta u nda nga ti për pak kohë, që ta kesh atë përjetësisht, jo më si skllav, por më tepër se skllav: ta kesh si vëlla të dashur. Ai është shumë i dashur për mua, por aq më tepër duhet të jetë për ty, qoftë si njeri, qoftë si vëlla në Zotin. Prandaj, nëse më ke mik, pranoje atë siç do të më prisje mua. Nëse të ka bërë ndonjë dëm, apo nëse të detyrohet për ndonjë gjë, m'i ngarko mua. Unë, Pali, po të shkruaj me dorën time se do të ta shlyej unë vetë detyrimin; për të mos thënë se ti më detyrohesh vetë jetën tënde. Po vëlla, për hir të Zotit, ma bëj këtë nder! Ma përtëri zemrën për hir të Krishtit! Të shkrova se kam besim se do të më dëgjosh dhe e di se do të bësh edhe më shumë se këto që po të them. Në të njëjtën kohë përgatit edhe një dhomë për mua, pasi shpresoj se përmes lutjeve tuaja do të kthehem te ju. Të përshëndet Epafrai, i burgosur bashkë me mua për Krishtin Jezu. Të përshëndesin edhe Marku, Aristarku, Dema e Luka, bashkëpunëtorët e mi. Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj! Në të shkuarën, Perëndia u ka folur etërve tanë shpeshherë dhe në mënyra të ndryshme nëpërmjet profetëve, ndërsa këto kohët e fundit na foli nëpërmjet Birit. Nëpërmjet tij Perëndia ka krijuar gjithësinë dhe atë e ka caktuar trashëgimtar të gjithçkaje. Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, shprehja e plotë e qenies së tij dhe ai që mban gjithçka me fuqinë e fjalës së tij. Pasi na pastroi nga mëkatet, ai u ul në qiell në të djathtë të Perëndisë së madhërishëm. Ai u bë më i madh se engjëjt, aq sa ç'ishte më madhështor emri që trashëgoi nga Perëndia. Dhe vërtet, Perëndia nuk i ka thënë kurrë ndonjë engjëlli: ti je Biri im, të kam lindur sot. As nuk ka thënë për ndonjërin: unë do të jem për të Atë e ai do të jetë për mua Bir. Kur Perëndia do të dërgonte në botë Birin e tij të parëlindur, tha: le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë. Ndërsa për engjëjt tha: Perëndia i bën engjëjt e tij si era dhe shërbyesit e tij si flaka e zjarrit. Për Birin ka thënë: froni yt, o Perëndi, mbetet në shekuj të shekujve dhe skeptri i drejtësisë është skeptri i mbretërisë sate. E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë. Prandaj, Perëndia yt, o Perëndi, të vajosi mes shokëve të tu, me vajin e gëzimit. Ka thënë edhe: ti, o Zot, në fillim e themelove tokën dhe vepër e duarve të tua janë qiejt. Ata do të zhduken, ndërsa ti do të mbetesh. Të gjithë do të vjetrohen si rrobë. Do t'i mbështjellësh si petk e do t'i ndërrosh si rrobë, ndërsa ti do të mbetesh po ai dhe vitet e tua nuk do të perëndojnë. Perëndia nuk i tha kurrë ndonjë engjëlli: ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu si shtrojë të këmbëve të tua. A nuk janë, pra, të gjithë engjëjt shpirtra shërbestarë që Perëndia i ka dërguar për t'u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin? Prandaj duhet të tregojmë më shumë kujdes për gjërat që kemi dëgjuar, që të mos dalim nga udha. Nëse fjala që u tha nëpërmjet engjëjve, u vërtetua dhe çdo shkelje e mosbindje ndaj saj mori ndëshkimin e drejtë, si do të shpëtojmë po të lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Këtë shpëtim në fillim e shpalli Zoti dhe më pas na e vërtetuan ata që e dëgjuan. Për të dëshmoi edhe vetë Perëndia me anë shenjash e mrekullish dhe me dhuratat e Shpirtit të shenjtë, të ndara sipas vullnetit të tij. Perëndia nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim. Diku dëshmohet: ç'është njeriu, që të kujtohesh për të? Ç'është biri i njeriut, që të kujdesesh për të? Për pak kohë e bëre më të vogël se engjëjt dhe e kurorëzove me lavdi e me nder. Gjithçka e nënshtrove nën këmbët e tij. Kur i nënshtroi gjithçka, nuk la asgjë pa i nënshtruar. Por tani ne ende nuk e shohim që gjithçka i është nënshtruar atij. Jezuin, që për pak kohë u bë më i vogël se engjëjt, tani e shohim të kurorëzuar me lavdi e me nder për shkak të vdekjes së tij. Kështu, me hirin e Perëndisë, ai provoi vdekjen për të gjithë njerëzit. Perëndia, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha gjërat, çoi shumë bij drejt lavdisë. Ai, pra, duhej ta bënte të përsosur kreun e shpëtimit të tyre nëpërmjet vuajtjeve. Meqenëse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë nga i njëjti Atë, Jezuit nuk i vjen turp t'i quajë vëllezër kur thotë: emrin tënd do t'ua tregoj vëllezërve të mi e do të thur himne për ty në mes të kishës. Thotë edhe: unë do të kem besim tek ai, si dhe: ja unë dhe bijtë që më dha Perëndia. Meqenëse bijtë janë njerëz prej gjaku e mishi, atëherë Jezui mori të njëjtin trup njerëzor si ata, që nëpërmjet vdekjes të shkatërronte atë që kishte pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, dhe të çlironte të gjithë ata që, nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar për gjithë jetën skllavërisë. Duket qartë se ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por pasardhësve të Abrahamit. Prandaj, ai duhej t'u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të bëhej i mëshirshëm dhe kryeprift besnik në shërbim të Perëndisë dhe kështu të shlyente mëkatet e popullit. Meqenëse edhe ai vetë vuajti e u tundua, mund të ndihmojë edhe ata që tundohen. Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni me kujdes Jezuin, të dërguarin e Perëndisë dhe kryepriftin e besimit që shpallim. Ai ishte besnik ndaj atij që e bëri kryeprift, ashtu siç ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Perëndisë. Por Jezui u çmua i denjë për lavdi më të madhe se Moisiu, sepse ai që ndërton shtëpinë nderohet më shumë se vetë shtëpia. Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, ndërsa ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia. Moisiu ishte besnik në tërë shtëpinë e Perëndisë, por si shërbëtor dhe për të dëshmuar gjithçka që do t'i thoshte Perëndia. Ndërsa Krishti është si biri në shtëpinë e vet, shtëpi e cila jemi ne, nëse ruajmë guximin dhe shpresën me të cilën mburremi. Sikurse thotë Shpirti i shenjtë: sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në ditën e rebelimit gjatë tundimit në shkretëtirë, ku etërit tuaj më tunduan e më vunë në provë, ndonëse i kishin parë veprat e mia për dyzet vjet. Prandaj unë u zemërova me atë brezni e thashë: gjithmonë mashtrohet zemra e tyre dhe ata nuk i njohën udhët e mia. Dhe u përbetova në zemërimin tim kështu: nuk kanë për të hyrë në prehjen time. Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjëri prej jush ka zemër të ligë e mosbesuese dhe kështu largohet nga Perëndia i gjallë. Por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë për sa kohë të jetë «sot», që të mos ngurtësohet ndonjë prej jush nga mashtrimi i mëkatit. Ne bëhemi pjesëtarë të Krishtit vetëm nëse e ruajmë të sigurt deri në fund besimin dhe bindjen e fillimit. Thuhet qartë: sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në ditën kur ngritët krye. Kush ishin ata që dëgjuan dhe u rebeluan? A nuk ishin të gjithë ata që dolën nga Egjipti me Moisiun? Kush ishin ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A nuk ishin ata që mëkatuan dhe lanë kockat nëpër shkretëtirë? Për cilët u betua se nuk do të hyjnë në prehjen e tij? A nuk u betua për ata që nuk u bindën? Shohim se ata nuk mundën të hynin për shkak të mosbesimit. Përderisa premtimi për të hyrë në prehjen e Perëndisë vazhdon të jetë i vlefshëm, le të kemi frikë se mos ndonjëri nga ju mbetet jashtë. Edhe ne e kemi dëgjuar ungjillin, sikurse edhe ata që ishin në shkretëtirë, por atyre nuk u vlejti fjala që dëgjuan, pasi nuk e dëgjuan me besim. Ne që besuam do të hyjmë në prehjen e Perëndisë, për të cilën ai ka thënë: dhe kështu u përbetova në zemërimin tim: nuk kanë për të hyrë në prehjen time. Ai e tha këtë, ndonëse veprat e tij kishin përfunduar që me krijimin e botës. Ndërsa për ditën e shtatë ka thënë diku: Perëndia pushoi ditën e shtatë, pasi i kreu të gjitha veprat e tij. Po për të njëjtën gjë shton: nuk kanë për të hyrë në prehjen time. Ata që e dëgjuan në fillim ungjillin nuk hynë në prehjen e Perëndisë për shkak të mosbindjes. Por, meqenëse mbeten edhe të tjerë për të hyrë në të, Perëndia caktoi përsëri një ditë të quajtur «sot», kur thotë pas kaq kohe nëpërmjet Davidit: sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja. Pra, nëse Jozuehu do ta kishte çuar popullin në prehje, atëherë Perëndia nuk do të fliste më për një ditë tjetër. Kështu, për popullin e Perëndisë është ende e mundshme një ditë prehjeje si e shtuna e prehjes së Perëndisë. Ai që hyn në prehjen e Perëndisë do të pushojë së bëri veprat e veta, ashtu siç bëri edhe Perëndia. Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në këtë prehje, që të mos bjerë ndokush në të njëjtin shembull të mosbindjes. Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës. Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t'i japim llogari. Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiej, Jezuin, Birin e Perëndisë. Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi. Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje. Çdo kryeprift merret nga njerëzit e caktohet t'i shërbejë Perëndisë në dobi të njerëzve. Ai kushton dhurata e fli për mëkatet. Ai është në gjendje të ndiejë dhembshuri për të paditurit e të mashtruarit, sepse edhe ai është njeri i dobët. Prandaj, atij i duhet të kushtojë fli jo vetëm për mëkatet e popullit, por edhe për të vetat. Askush nuk e merr vetë këtë nder, por e merr kur thirret nga Perëndia, sikurse Aroni. Kështu edhe Krishti nuk e mori vetë nderin për t'u bërë kryeprift, por ia dha Perëndia kur i tha: ti je Biri im, të kam lindur sot. Po ashtu thotë: ti do të jesh prift përjetë sipas urdhrit të Melkisedekut. Gjatë jetës së tij njerëzore, Jezui iu lut e iu përgjërua me klithma të forta e me lot atij që mund ta shpëtonte nga vdekja. Dhe Perëndia e dëgjoi për shkak të nënshtrimit të tij. Ndonëse ishte Biri i Perëndisë, ai mësoi bindjen nga të gjitha ato që pësoi. Pasi u bë i përsosur, ai u bë shkaktari i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden. Perëndia e shpalli atë kryeprift sipas urdhrit të Melkisedekut. Lidhur me këtë, kemi shumë gjëra për t'ju thënë, por është vështirë t'jua shpjegojmë, se keni filluar të kuptoni me vështirësi. Për nga koha që ka kaluar, duhej të ishit tashmë mësues, ndërsa ju ende keni nevojë t'ju mësojnë njohuritë fillestare të fjalëve të Perëndisë. Keni arritur deri aty, sa keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë. Kush ushqehet me qumësht, është ende foshnjë dhe nuk ka përvojë për të dalluar të drejtën. Ndërsa ushqimi i fortë është për të rriturit, për ata që nëpërmjet përvojës i kanë stërvitur shqisat për të dalluar të mirën nga e keqja. Prandaj, duke lënë mënjanë njohuritë fillestare për Krishtin, le të shkojmë drejt përsosjes. Le të mos merremi më me gjërat fillestare: me pendimin për veprat e vdekura, me besimin në Perëndinë, mësimin për pagëzimin, vënien e duarve, ngjalljen e të vdekurve dhe gjykimin e përjetshëm. Edhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia. Është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë, që shijuan dhuratën qiellore, që morën Shpirtin e shenjtë, që shijuan bukurinë e fjalës së Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme dhe që pastaj ranë, të rilindin me anë të pendimit, kur ata vetë e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë botërisht. Kur toka pi shiun që bie shpesh mbi të dhe prodhon bimë të dobishme për ata që e punojnë, ajo merr bekim nga Perëndia. Ndërsa, kur prodhon ferra e murriza, është e padobishme dhe po i afrohet mallkimi. Fundi i saj do të jetë djegia në zjarr. Por, ndonëse flasim kështu, o fort të dashur, jemi të bindur se ju keni gjëra më të mira, që mbartin shpëtim. Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar në emër të tij me shërbimin që u keni bërë e vazhdoni t'u bëni të shenjtëve. Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund, që të përmbushet shpresa juaj. Mos u bëni përtacë, por bëhuni shkërbim i atyre që, nëpërmjet besimit e durimit, trashëguan premtimin e Perëndisë. Kur Perëndia i bëri premtimin Abrahamit, ngaqë nuk kishte ndonjë më të madh për t'u betuar, u betua për veten e tij e tha: të premtoj se do të të bekoj e do të të jap shumë pasardhës. Kështu, Abrahami priti me durim dhe fitoi premtimin. Njerëzit betohen për dikë që është më i madh se ata dhe betimi është siguria që japin për të mbyllur çdo mosmarrëveshje. Kështu edhe Perëndia përdori betimin, duke dashur t'i sigurojë edhe më shumë trashëgimtarët e premtimit për palëkundshmërinë e vendimit të tij. Pra, ka dy gjëra të pandryshueshme, për të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë. Nëpërmjet tyre, ne që kemi kërkuar strehë tek ai, marrim guxim të madh për t'u mbështetur në shpresën që kemi përpara. Kjo shpresë është për ne spiranca e jetës. Ajo është e sigurt dhe e patundur dhe na çon deri në pjesën e brendshme të altarit, pas velit. Atje ka hyrë përpara nesh dhe për ne Jezui që u bë kryeprift në amshim sipas urdhrit të Melkisedekut. Ky Melkisedeku ishte mbret i Salemit dhe prift i të tejlartit Perëndi. Kur Abrahami po kthehej nga beteja, ku shfarosi mbretërit, Melkisedeku e takoi dhe e bekoi. Abrahami i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje. Emri Melkisedek do të thotë së pari «mbret i drejtësisë». Ai ishte edhe mbret i Salemit, që do të thotë «mbret i paqes». Nuk ia njohim as të atin, as nënën e as paraardhësit. Nuk dimë gjë as për lindjen e as për vdekjen e tij. I ngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim. Pa mendohuni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku Abraham i dha të dhjetën e gjithçkaje që kishte plaçkitur. Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit. Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe e bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë. Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi. Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton. Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën, sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij, Abrahamit, kur ky u takua me Melkisedekun. Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç'nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhrit të Melkisedekut e jo sipas urdhrit të Aronit? Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit. Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit. Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë. Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun, i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s'ka fund. Sepse dëshmohet se ti je prift në amshim sipas urdhrit të Melkisedekut. Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm. Ligji nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë. Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim. Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha: Zoti u betua e nuk do të pendohet. Ti je prift në amshim. Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë. Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë, ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme. Prandaj ai mund t'i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta. I tillë kryeprift na duhej: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollosur, i ndarë veç nga mëkatarët dhe i ngritur më lart se qiejt. Ai nuk ka nevojë çdo ditë për flijime si kryepriftërinjtë e tjerë, të cilët ofrojnë në fillim flijim për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit. Këtë ai e bëri një herë e përgjithmonë kur ofroi veten si flijim. Ligji vendos si kryepriftërinj njerëz me dobësi, ndërsa fjala e betimit, që vjen pas këtij ligji, vendos Birin, i cili është i përsosur në amshim. Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej. Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu. Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar. Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal. Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira. Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha: ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës. Ajo nuk do të jetë si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën kur i mora për dore për t'i nxjerrë nga Egjipti. Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime, prandaj unë i braktisa, thotë Zoti. Besëlidhja që do të lidh me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti, është kjo: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjen e tyre e do t'i shkruaj në zemrat e tyre. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. Askush nuk do të mësojë më tjetrin dhe vëllait të vet askush nuk do t'i thotë më: «Njih Zotin!», se do të më njohin të gjithë, nga më i vogli te i madhi. Unë do të jem i mëshirshëm me paudhësitë e tyre, mëkatet e tyre nuk do t'i kujtoj më. Kur Perëndia tha « besëlidhja e re », ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes. Sigurisht që edhe besëlidhja e parë kishte rregulla adhurimi dhe një shenjtërore tokësore. U ndërtua një tendë e parë, në të cilën ndodhej shandani, tryeza e bukët që i kushtoheshin Perëndisë. Kjo tendë quhej «Shenjtërorja». Pas velit të dytë ishte tenda që quhej «Shenjtërorja e shenjtëroreve». Atje ndodhej altari i artë, ku digjej temjani e gjendej arka e besëlidhjes, mbuluar nga të gjitha anët me ar. Brenda arkës ndodhej qypi i artë, që mbante manën, shkopi i Aronit që kishte lulëzuar dhe rrasat e besëlidhjes. Sipër arkës ndodheshin kerubët e lavdisë, që mbulonin pajtimoren, për të cilët nuk është nevoja të flasim me hollësi tani. Këto ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që në tendën e parë të hynin gjithnjë priftërinjtë për të bërë shërbesat e adhurimit. Ndërsa në tendën e dytë hynte vetëm kryeprifti një herë në vit dhe jo pa gjak kafshësh, të cilin ia kushtonte Perëndisë për mëkatet e veta dhe për mëkatet e popullit, të bëra nga padija. Me këtë gjë Shpirti i shenjtë tregon se udha për te shenjtërorja e shenjtëroreve nuk do të zbulohej për sa kohë do të ishte tenda e parë. Tenda e parë është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme dhe tregon se dhuratat dhe flijimet nuk mund ta bëjnë të përsosur ndërgjegjen e atij që i kushton, pasi ka të bëjë vetëm me ushqime, me pije e me larje të ndryshme, me rregulla për trupin, të cilat vlejnë derisa t'u vijë koha për t'u ndrequr. Krishti erdhi si kryeprift i të mirave, që tashmë kanë ardhur. Tenda ku shërben ai është më e madhe dhe më e përsosur. Ajo nuk është bërë nga duar njerëzore, domethënë nuk i përket këtij krijimi. Kur Krishti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren e shenjtëroreve, nuk kushtoi gjak cjepsh e viçash, por gjakun e vet, duke na sjellë shpengimin e amshuar. Sepse, nëse gjaku i cjepve e i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore, aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t'i shërbejmë Perëndisë së gjallë. Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë. Atje ku ka testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë. Prandaj edhe besëlidhja e parë nuk ishte themeluar pa gjak. Kur i shpalli gjithë popullit urdhërimet e ligjit, Moisiu mori gjak viçash e cjepsh dhe e përzjeu me ujë. Pastaj mori lesh të kuq dhe hisop e me to spërkati librin dhe gjithë popullin duke thënë: ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju. Po ashtu ai spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbesës së adhurimit. Sipas ligjit, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk ka ndjesë mëkatesh. Ishte e nevojshme që edhe trajtat e gjërave qiellore të pastroheshin në të njëjtën mënyrë. Por ato kanë nevojë për flijime më të mira se këto. Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë nga duar njerëzish, që është vetëm shëmbëllesë e shenjtërores së vërtetë, por drejt e në qiell, që të dalë para Perëndisë për ne. Krishti nuk do ta flijojë shumë herë veten, siç bënte kryeprifti kur hynte në shenjtëroren e shenjtëroreve çdo vit me gjak kafshësh, sepse do të duhej të vuante shumë herë që nga krijimi i botës. Përkundrazi, tani, ai u shfaq vetëm një herë në fund të kohëve për ta shkatërruar mëkatin nëpërmjet flijimit të vetes. Sikurse njerëzit një herë vdesin dhe pastaj vjen gjykimi, ashtu edhe Krishti, pasi u flijua një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumë njerëzve, do të shfaqet për herë të dytë, jo për të shlyer mëkate, por për të shpëtuar ata që e presin. Meqenëse ligji përmban vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo pamjen e tyre të vërtetë, ai nuk mund t'i përsosë kurrë ata që vazhdimisht vijnë të kushtojnë të njëjtat flijime vit për vit. Përndryshe do të kishin reshtur së kushtuari flijime, pasi ata që adhuronin Perëndinë, si të ishin pastruar një herë, nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre. Por ato flijime iu kujtonin mëkatet çdo vit, sepse gjaku i viçave dhe i cjepve nuk mund t'i shlyejë mëkatet. Kur erdhi Krishti në botë, tha: flijime e dhurata nuk deshe, por më bëre gati një trup. Shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatet nuk të pëlqyen. Atëherë thashë: ja ku po vij, o Perëndi, për të bërë vullnetin tënd, sikurse është shkruar për mua në krye të librit. Më lart ai tha se nuk i pëlqejnë flijimet dhe dhuratat, si dhe shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatin, megjithëse ato kushtoheshin sipas ligjit. Pastaj shtoi: ja ku po vij për të bërë vullnetin tënd! Kështu ai hedh poshtë flijimet e para për të caktuar flijimin e dytë. Nga ky vullnet u shenjtëruam nëpërmjet flijimit që bëri Jezu Krishti një herë e përgjithmonë. Të gjithë priftërinjtë rrinin çdo ditë në këmbë për të shërbyer e për të kushtuar shumë herë të njëjtat flijime, të cilat nuk mund t'i shlyejnë kurrë mëkatet. Ndërsa Krishti kushtoi vetëm një flijim për mëkatet një herë e përgjithmonë e pastaj u ul në të djathtë të Perëndisë. Tani, atje, ai pret që armiqtë e tij të bëhen shtrojë e këmbëve të tij. Kështu, me një kushtim të vetëm, Krishti i bëri të përsosur përgjithmonë të shenjtëruarit. Edhe Shpirti i shenjtë na dëshmon kur thotë: besëlidhja që do të lidh me ta pas atyre ditëve, thotë Zoti, është kjo: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjen e tyre e do t'i shkruaj në zemrat e tyre. Mëkatet e tyre e paudhësitë e tyre nuk do t'i kujtoj më. Ku ka ndjesë të mëkateve, nuk është nevoja më për flijime. Vëllezër, gjaku i Jezuit na jep guxim për të hyrë në shenjtërore përmes udhës së re e të gjallë që na hapi Krishti me anë të velit që është trupi i tij. Ai është prift i madh në krye të shtëpisë së Perëndisë. Le të hyjmë, pra, atje me zemër të çiltër e me besim të sigurt, me zemër të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. Le ta mbajmë të patundur pohimin e shpresës, sepse ai që na premtoi është besnik. Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke e nxitur për dashuri e për vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit së bashku, siç e kanë bërë zakon disa. Përkundrazi, le të nxisim njëri-tjetrin më shumë tani që shihni se po afron Dita e Zotit. Nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohuritë e së vërtetës, atëherë nuk ka më asnjë flijim për mëkatet. Përkundrazi, na pret gjykimi i tmerrshëm dhe zjarri i ndezur që përpijnë kundërshtarët. Nëse dikush shkel ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë me dëshminë e dy a tre dëshmitarëve. A e merrni me mend se ç'dënim më të madh do të meritojë ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë, që e ka parë si të pavlerë gjakun e besëlidhjes, me të cilin u shenjtërua, dhe që ka sharë Shpirtin e hirit? Sepse ne e njohim atë që ka thënë: « shpagimi më përket mua dhe unë jam ai që do të marrë shpagim ». Si dhe: « Zoti gjykon popullin e tij ». Është gjë e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë. Sillini ndër mend ditët e shkuara! Atëherë, pasi u ndriçuat, ju duruat me shumë mundime një luftë të madhe, herë të përqeshur dhe të munduar botërisht, herë duke marrë pjesë në vuajtjet e atyre që trajtoheshin kështu. Ju keni vuajtur bashkë me të burgosurit dhe kur ju kanë rrëmbyer pasuritë, keni duruar me gëzim, sepse e keni ditur se keni një pasuri më të madhe dhe të qëndrueshme. Mos e humbisni, pra, guximin tuaj! Ai ka shpërblim të madh. Keni nevojë për durim që të bëni vullnetin e Perëndisë e të fitoni premtimin. Sepse edhe pak kohë, vetëm pak, e do të vijë ai, që duhet të vijë, e nuk do të vonohet. I drejti im do të jetojë prej besimit, por nëse zmbrapset, shpirti im nuk do të kënaqet me të. Ne nuk jemi nga ata që zmbrapsen e humbasin, por nga ata që besojnë dhe shpëtojnë shpirtin. Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe njohja e gjërave që nuk shihen. Nëpërmjet tij të parët tanë morën dëshminë e mirë. Me anë të besimit, kuptojmë se gjithësia u krijua me fjalën e Perëndisë, në mënyrë të tillë që gjërat që shohim u bënë nga ato që nuk i shohim. Me anë të besimit, Abeli i kushtoi Perëndisë flijim më të mirë se Kaini. Falë besimit, ai mori dëshminë se ishte i drejtë kur Perëndia pranoi dhuratat dhe ndonëse ka vdekur, ai vazhdon të na flasë. Me anë të besimit, Enoku u mor lart nga Perëndia pa parë vdekje me sy dhe nuk u gjet më mbi tokë, sepse e kishte marrë lart Perëndia. Dëshmohet se, para se të merrej lart, ai i kishte pëlqyer Perëndisë. Pa besim është e pamundur t'i pëlqejë njeri Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ka Perëndi dhe se Perëndia i shpërblen ata që e kërkojnë. Me anë të besimit, Noeu, kur u njoftua nga Perëndia për ato gjëra që nuk shiheshin ende, u bind dhe ndërtoi arkën për të shpëtuar ata të shtëpisë së tij. Nëpërmjet besimit, Noeu gjykoi botën dhe për shkak të besimit Perëndia e bëri trashëgimtar të drejtësisë. Me anë të besimit, Abrahami, kur e thirri Perëndia, u bind për të shkuar në vendin që do të merrte si trashëgim dhe u nis pa ditur ku po shkonte. Me anë të besimit, ai banoi në tokën e premtuar si në dhe të huaj, duke jetuar në tenda bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim. Sepse ai priste qytetin me themele të forta, arkitekt dhe ndërtues i të cilit do të ishte Perëndia. Me anë të besimit të Abrahamit, edhe Sara shterpë arriti të mbesë shtatzënë, ndonëse i kishte kaluar mosha, sepse Abrahami e dinte se ai që i kishte premtuar ishte besnik. Kështu, prej një njeriu të vetëm, edhe ky gati në të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe sa rëra e panumërueshme e bregut të detit. Këta të gjithë vdiqën me besim, por pa i marrë premtimet e bëra. Ata vetëm i panë nga larg dhe i përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe kalimtarë mbi tokë. Ata që i thonë këto gjëra, tregojnë se kërkojnë atdhe. Po ta kishin mendjen tek atdheu që kishin lënë do të kishin gjetur kohë për t'u kthyer përsëri atje. Por tani ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë një atdhe qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse u kishte bërë gati një qytet. Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, kushtoi si flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, kushtoi birin e tij të vetëm, ndonëse Perëndia i kishte thënë: nga Isaku do të rrjedhin pasardhësit e tu. Abrahami mendonte se Perëndia mund ta ngjallte prej të vdekurve dhe e mori, në njëfarë mënyre, Isakun prej të vdekurve. Me anë të besimit, Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun për gjërat e ardhshme. Me anë të besimit, Jakobi, kur po vdiste, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi Perëndinë, duke u mbështetur te shkopi i tij. Me anë të besimit, Jozefi, duke vdekur, përmendi daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti dhe i porositi për eshtrat e tij. Me anë të besimit, prindërit e Moisiut e fshehën atë për tre muaj pas lindjes, sepse e panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit. Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej bir i bijës së faraonit. Ai zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht dëfrimet e mëkatit. Ai e çmoi përçmimin e ngjashëm me përçmimin që do të pësonte Krishti, si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i kishte drejtuar sytë nga shpërblimi. Me anë të besimit, Moisiu e la Egjiptin pa pasur frikë nga zemërimi i mbretit, sepse qëndroi i palëkundur duke parë të padukshmin. Me anë të besimit, ai kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen me gjak, me qëllim që engjëlli shfarosës të mos i vriste fëmijët e parëlindur të Izraelit. Me anë të besimit, izraelitët kaluan detin e Kuq si të ecnin në tokë të thatë, ndërsa kur e provuan egjiptianët, u mbytën. Me anë të besimit, muret e Jerikosë ranë, pasi izraelitët u sollën rrotull tyre për shtatë ditë. Me anë të besimit, lavirja Rahabë nuk vdiq bashkë me të pabindurit, pasi ajo i kishte pritur zbuluesit paqësisht. Ç'të them më? Nuk do të më mjaftonte koha t'ju tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftahun, Davidin, Samuelin dhe profetët, të cilët me anë të besimit mposhtën mbretër, vunë drejtësinë, fituan premtimet, ua zunë grykën luanëve, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fortë, u bënë të fuqishëm në luftë, thyen ushtritë e huaja. Me anë të besimit disa gra morën përsëri të vdekurit e tyre përmes ngjalljes, ndërsa të tjerë nuk e pranuan lirimin, por vuajtën tortura, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Të tjerë hoqën poshtërime e fshikullima, madje edhe pranga e burgime. U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u therën me tehun e shpatës dhe u endën veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, në hidhërime e në keqtrajtime. Bota nuk ishte e denjë për ta, prandaj ata endeshin nëpër shkretëtira, nëpër male, nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut. Të gjithë këta, megjithëse e morën dëshminë e mirë me anë të besimit, nuk e fituan premtimin e Perëndisë. Sepse Perëndia kishte parashikuar diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne. Prandaj edhe ne që jemi të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë si dhe mëkatin që na josh lehtësisht dhe le të ecim përpara me durim në betejën që na pret. Le t'i mbajmë sytë te Jezui që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur. Ai, për gëzimin që e priste, duroi kryqin duke përçmuar turpin dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë. Mendoni, pra, atë që duroi një armiqësi të tillë kundër vetes prej mëkatarëve, që të mos ligështoheni e t'ju lëshojë zemra. Sepse ju ende nuk keni arritur deri atje sa të derdhni gjakun në luftën kundër mëkatit. Ju keni harruar këshillën që Perëndia jua tha si bijve të vet: biri im, mos e përçmo qortimin e Zotit e mos të të lëshojë zemra kur ai të qorton, se Zoti e qorton atë që e do dhe fshikullon atë që pranon si bir. Durojeni qortimin, se Perëndia po sillet me ju si bij. A ka ndonjë bir që nuk qortohet nga i ati? Nëse nuk do të qortoheni siç qortohen gjithë të tjerët, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por jeni fëmijë të paligjshëm. Pastaj, nëse nderojmë etërit tanë tokësorë kur ata na qortojnë, a nuk duhet t'i nënshtrohemi më tepër Atit të shpirtrave e të fitojmë jetën? Etërit tokësorë na qortuan për pak kohë, ashtu siç e menduan, ndërsa Perëndia na qorton për të mirën tonë që ne të marrim pjesë në shenjtërinë e tij. Qortimet aty për aty duket se sjellin trishtim dhe jo gëzim, por më vonë, ata që janë ushtruar me qortimin do të shijojnë fryte paqtimi e drejtësie. Prandaj forconi duart e lodhura dhe gjunjët e këputur! Rrafshoni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që këmba e çalë të mos ndrydhet, por të shërohet. Kërkoni paqen me të gjithë dhe shenjtërimin, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin. Kujdes se mos mbetet ndonjë pa hirin e Perëndisë, se mos mbin ndonjë rrënjë e hidhur që turbullon e ndyn shumë njerëz. Të mos bëhet askush kurvar a çnderues gjërash të shenjta si Esau, i cili për një të ngrënë shiti të drejtat që gëzonte si fëmijë i parë. E dini se më pas, kur donte të trashëgonte bekimin, ai nuk u pranua, ndonëse e kërkoi me lot, pasi nuk kishte më vend për pendim. Nuk i jeni afruar malit të Sinait që mund të preket me dorë e që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë, as tingullit të trumbetës dhe as oshtimës së fjalëve, të cilën ata që e dëgjuan, u lutën të mos u thuhej më asnjë fjalë tjetër. Ata nuk mund ta duronin urdhrin: edhe nëse një shtazë e prek malin, të vritet me gurë. Aq e frikshme ishte pamja, sa Moisiu tha: kam frikë dhe po dridhem. Ju i jeni afruar malit të Sionit dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, mijëra engjëjve, bashkësisë së fëmijëve të parëlindur të Perëndisë, emrat e të cilëve janë shkruar në qiell. I jeni afruar Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe shpirtrave të të drejtëve që kanë arritur përsosjen. I jeni afruar Jezuit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re dhe gjakut të tij të spërkatjes që flet më mirë së gjaku i Abelit. Kini kujdes se mos nuk i vini vesh atij që ju flet! Sepse nëse nuk i shpëtuan ndëshkimit ata që nuk e dëgjuan atë që u fliste mbi tokë, shumë më tepër nuk do t'i shpëtojmë ne, nëse mohojmë atë që na flet nga qielli. Zëri i tij atëherë e tronditi tokën, ndërsa tani premton: edhe një herë do ta trondis nga themelet, jo vetëm tokën, por edhe qiellin. Fjala «edhe një herë» tregon se gjërat e krijuara do të tronditen e do të zhvendosen, në mënyrë që të mbeten gjërat që nuk mund të tronditen. Le të jemi mirënjohës, meqenëse kemi një mbretëri që nuk mund të tronditet. Le të jemi mirënjohës e le ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pëlqyeshme me nderim e me druajtje, se Perëndia ynë është zjarr që përpin. Dashuria vëllazërore le të mbetet! Mikpritjen mos e harroni, sepse nëpërmjet saj, disa, pa e ditur, pritën engjëj në shtëpi. Kujtoni të burgosurit, si të ishit edhe ju të burgosur me ta. Kujtoni edhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju jeni njerëz me trup si ata. Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse kurvarët dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore do t'i gjykojë Perëndia. Sjellja juaj të mos ndikohet nga lakmia për para. Le t'ju mjaftojnë ato që keni, se Perëndia ka thënë: nuk do të të lë vetëm e as nuk do të të braktis. Kështu mund të themi me guxim: Zoti është ndihma ime dhe nuk do të kem frikë. Ç'mund të më bëjë njeriu? Kujtoni krerët tuaj që ju shpallën fjalën e Perëndisë. Shikoni si e jetuan jetën dhe shkërbeni besimin e tyre. Jezu Krishti është gjithnjë i njëjti, dje, sot e në amshim. Mos rendni pas mësimeve të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra të forcohet me hir e jo me të ngrëna. Ata që vepruan kështu nuk patën asnjë dobi. Ne kemi një altar, nga i cili nuk kanë të drejtë të hanë ata që e adhurojnë Perëndinë në tendë. Kryeprifti çon në shenjtërore gjak kafshësh, të cilin e kushton për mëkatet, ndërsa vetë kafshët digjen jashtë vendbanimit. Prandaj edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit, që ta shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të tij. Kështu, le të dalim edhe ne jashtë vendbanimit e të shkojmë drejt tij, duke duruar të njëjtin poshtërim. Sepse nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur. Nëpërmjet Jezuit, le t'i kushtojmë gjithnjë Perëndisë flijim lavdërimi, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij. Mos harroni të bëni bamirësi dhe të ndani me të tjerët ato që keni, sepse të tilla flijime i pëlqejnë Perëndisë. Bindjuni krerëve tuaj dhe nënshtrojuni atyre, pasi ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, meqenëse do të japin llogari para Perëndisë. Kështu, ata do ta bëjnë këtë gjë me gëzim dhe jo duke u ankuar, sepse kjo nuk do t'ju sillte dobi. Lutuni për ne! Ne jemi të bindur se e kemi ndërgjegjen e pastër, sepse në çdo gjë dëshirojmë të sillemi mirë. Po ju kërkoj në veçanti të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju. Perëndia i paqes, ai që ngjalli prej të vdekurve bariun e madh të deleve, Zotin tonë, Jezuin, me gjakun e të cilit siguroi besëlidhjen e amshuar, ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë ndër ne çdo gjë që i pëlqen të bëhet, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia, në shekuj të shekujve! Amen! Ju lutem, vëllezër, dëgjojini me kujdes këto fjalë ngushëllimi, sepse ju shkrova shkurt. E morët vesh që vëllai ynë Timoteu u lirua nga burgu. Nëse ai mbërrin së shpejti këtu, do të vij t'ju shoh bashkë me të. Përshëndesni të gjithë krerët tuaj dhe të gjithë të shenjtët. Ju përshëndesin vëllezërit nga Italia. Hiri i Perëndisë qoftë me të gjithë ju! Unë Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, përshëndes dymbëdhjetë fiset e shpërndara nëpër botë. Vëllezërit e mi, gëzohuni kur ndeshni tundime të ndryshme, sepse ju e dini se sprova e besimit tuaj sjell durimin. Kini durim deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë. Nëse dikujt nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia dhe ai do t'i japë, sepse Perëndia u jep të gjithëve me zemërgjerësi dhe pa përçmim, por le të kërkojë me besim dhe pa dyshuar. Kush dyshon, i ngjan valës së detit, që e ngre era dhe pastaj e përplas. Ky njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Zoti, sepse është njeri me dy mendje dhe i paqëndrueshëm në gjithçka që bën. Vëllai i varfër le të krenohet, se do ta lartësojë Perëndia, ndërsa vëllai i pasur se do ta përulë. I pasuri do të shkojë si lulja e barit. Dielli lind dhe nxehtësia e tij e than barin. Lulja e barit vyshket dhe bukuria i zhduket. Kështu do të vyshket edhe i pasuri në gjërat që bën. Lum ai njeri që duron tundimet, sepse, pasi të ketë kaluar sprovën, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Perëndia ua premtoi atyre që e duan. Askush, kur tundohet, të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia». Perëndia nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askënd. Secili tundohet nga lakmia e vet, që e josh dhe e mashtron. Kur lakmia mbarset, pjell mëkatin, ndërsa mëkati që kryhet sjell vdekjen. Vëllezërit e mi të dashur, mos u mashtroni! Çdo e mirë që na është dhënë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga lart dhe zbret nga Ati i dritave qiellore. Perëndia nuk ndryshon dhe nuk lë hije ndryshimi. Prej vullnetit të tij na dha jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi fryti i parë i krijesave të tij. Vëllezërit e mi të dashur, dijeni se çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur dhe i ngadaltë në zemërim. Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. Prandaj hidhni tej çdo ndyrësi e çdo ligësi tjetër dhe me përulësi pranoni fjalën që Perëndia ka mbjellë ndër ju, fjalë e cila mund t'ju shpëtojë shpirtrat. Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë veten. Sepse nëse dikush është vetëm dëgjues i fjalës dhe jo zbatues i saj, ai i ngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë, por pasi shihet, ikën e menjëherë harron sesi ishte. Ndërsa ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur të lirisë dhe ngulmon në të, ai që nuk mbetet vetëm një dëgjues që harron, por zbatues i tij, do të jetë i lum në gjithçka që bën. Kush mendon se është fetar dhe nuk i vë fre gjuhës, mashtron veten dhe feja e tij është e kotë. Feja e pastër dhe e panjollë para Perëndisë dhe Atit është kjo: përkujdesja për jetimët e vejushat që janë në vështirësi dhe ruajtja e vetes të pastër nga bota. Vëllezërit e mi, mos e përzieni besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit, me dallimet ndërmjet njerëzve. E zëmë se kur mblidheni së bashku, vjen dikush që ka unazë ari e veshje të shtrenjta, si edhe një i varfër me veshje të vjetra. Nëse tregoni kujdes të veçantë për atë që ka veshur rrobat e shtrenjta e i thoni: «Ti ulu këtu në vendin e mirë!», ndërsa të varfrit i thoni: «Ti rri në këmbë atje ose ulu këtu te këmbët e mia!», a nuk bëni kështu dallime mes jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga? Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës për t'i bërë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? Ndërsa ju nuk e nderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju sundojnë e ju heqin zvarrë nëpër gjyqe? A nuk janë ata që përdhosin emrin e mirë me të cilin jeni quajtur? Nëse zbatoni ligjin e mbretërisë sipas Shkrimit: duaje të afërtin si veten, bëni mirë. Por nëse bëni dallime, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës. Kush e zbaton të gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, bëhet fajtor ndaj të gjithë ligjit. Sepse ai që tha: « Mos bëj tradhti bashkëshortore! », tha edhe: « Mos vrit! ». Nëse nuk bën tradhti bashkëshortore, por vret, atëherë ke shkelur ligjin. Prandaj flisni e veproni si njerëz që do të gjykohen me ligjin e lirisë. Gjykimi do të jetë i pamëshirshëm me atë që nuk ka treguar mëshirë, ndërsa mëshira ngadhënjen mbi gjykimin. Ç'dobi ka, vëllezërit e mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? Nëse ndonjë vëlla apo motër nuk ka rroba për të veshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe ndonjë nga ju u thotë: «Shkoni në paqe, ngrohuni e ngopuni!», por nuk u jep atyre gjërat e nevojshme për trupin, ç'dobi ka kjo? Kështu, pra, edhe besimi pa vepra është i vdekur në vetvete. Por, dikush do të thotë: «Ti ke besimin, ndërsa unë kam veprat». Unë i them: «Më trego si mund ta kesh besimin pa vepra dhe unë do të të tregoj besimin nga veprat e mia». Ti beson se ka vetëm një Perëndi? Mirë bën. Edhe djajtë e besojnë dhe dridhen. A do ta kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i padobishëm? A nuk u bë i drejtë nga veprat ati ynë, Abrahami, kur kushtoi birin e tij, Isakun, mbi altar? A e shikon se besimi bashkëveproi me veprat e tij dhe u përsos nëpërmjet tyre? Kështu u përmbush Shkrimi: Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi. Ai u quajt mik i Perëndisë. Pra, e shihni se njeriu bëhet i drejtë nga veprat e jo vetëm nga besimi. Po ashtu edhe lavirja Rahabë. A nuk u bë e drejtë edhe ajo nga veprat kur priti të dërguarit dhe i përcolli nga një rrugë tjetër? Sikurse trupi është i vdekur pa shpirtin, ashtu edhe besimi është i vdekur pa veprat. Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë prej jush mësues, sepse e dini se do të gjykohemi më ashpër, duke qenë se gabojmë në shumë gjëra. Nëse dikush nuk gabon me fjalë, atëherë ai është njeri i përsosur dhe i aftë për të sunduar gjithë trupin e tij. Ja, kuajve ua vëmë frerët në gojë, që të na binden e t'u drejtojmë të gjithë trupin. Shikoni edhe anijet! Megjithëse janë aq të mëdha e shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon i vogël atje ku dëshiron timonieri. Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha. Ja ç'pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël! Gjuha është zjarr e botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej Gehenës. Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur. Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës. Me të bekojmë Zotin e Atin dhe po me të mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu. A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur? O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël. Cili nga ju është i urtë e i mençur? Ai le ta tregojë këtë me sjelljen e tij të mirë dhe me veprat e bëra me butësi e me urti. Nëse keni në zemër smirë të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mburrni e mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo lloj urtie nuk vjen nga lart, por është tokësore, shqisore e djallëzore. Atje ku ka smirë e grindje, ka trazirë dhe gjithfarë gjërash të liga. Ndërsa urtia që vjen nga lart, së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe me fryte të mira, e paanshme e jo hipokrite. Fryti i drejtësisë mbillet paqësisht nga ata që bëjnë paqen. Nga vijnë luftrat e grindjet mes jush? A nuk vijnë nga epshet që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Ju lakmoni, por nuk keni. Pastaj vrisni e keni smirë, por gjë nuk fitoni. Grindeni e luftoni, por nuk keni, se nuk kërkoni nga Perëndia. Kërkoni e nuk merrni, sepse kërkoni me qëllim të keq, që t'i përdorni për epshet tuaja. O njerëz të pafe! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai që dëshiron të jetë mik me botën, bëhet armik me Perëndinë. Mos vallë pandehni se Shkrimi thotë më kot se shpirti i vendosur nga Perëndia brenda nesh, priret drejt smirës? Por, Perëndia na jep edhe më shumë hir, prandaj thuhet: Perëndia u kundërvihet krenarëve, ndërsa të përulurve u jep hir. Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t'ju afrohet. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, vajtoni e qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në trishtim. Përuluni para Zotit dhe ai do t'ju lartësojë. Mos flisni keq për njëri-tjetrin, o vëllezër! Ai që flet keq për vëllanë apo e gjykon atë, flet keq për ligjin dhe e gjykon atë ligj. Nëse gjykon ligjin, nuk je zbatues i këtij ligji, por gjykues i tij. Vetëm njëri është ligjvënësi dhe gjykuesi, ai që mund të shpëtojë apo të çojë në humbje. Po ti, kush je që gjykon të afërtin? Dhe tani më dëgjoni ju që thoni: «Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, do të rrimë atje një vit, do të bëjmë tregti e do të fitojmë». Ju nuk e dini si do të jetë e nesërmja dhe se çfarë është jeta juaj. Ajo është si avulli që duket për pak kohë dhe pastaj zhduket. Në vend që të thoni: «Në dashtë Zoti dhe në qofshim gjallë, do të bëjmë këtë apo atë gjë», ju mburreni me krenari. Çdo mburrje e tillë është e ligë. Ai që di të bëjë të mirën e nuk e bën, bën mëkat. Dhe tani, ju, o të pasur! Qani e vajtoni për mundimet që ju presin. Pasuria juaj u kalb e rrobat tuaja i brejti tenja. Ari e argjendi juaj u ndryshkën. Ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush e do të përpijë trupat tuaj si zjarri. Ju u pasuruat në ditët e fundit. Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që korrën arat tuaja po këlthet e klithmat e korrësve arritën në vesh të Zotit të ushtrive qiellore. Këtu në tokë jetuat në qejfe dhe bëtë shpenzime të kota. U majmët si kafshët për therje, dënuat e vratë të drejtin dhe ai nuk ju kundërshtoi. Vëllezër, bëni durim derisa të vijë Zoti. Edhe bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të bien shirat e vjeshtës e të pranverës. Kini edhe ju durim e forcojini zemrat, se dita e ardhjes së Zotit është afër. Vëllezër, mos u ankoni për njëri-tjetrin, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi është te dera! Shembull të vuajtjes e të durimit kini profetët që folën në emër të Zotit. Ne i quajmë të lumë ata që duruan. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e patë çfarë fundi i ruajti Zoti, sepse Zoti është mëshirëplotë e i dhembshur. Para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiellin, as për tokën e as ndonjë betim tjetër. Le të jetë «po-ja» juaj «po» dhe «jo-ja» juaj «jo», që të mos gjykoheni nga Perëndia. A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme! A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen. Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe! Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj. Pastaj u lut përsëri dhe qielli dha shi e toka dha frytet e saj. Vëllezërit e mi, nëse ndonjë prej jush largohet nga e vërteta dhe një tjetër e kthen përsëri në besim, duhet ta dini se ai që kthen një mëkatar nga udha e mashtrimit, ia shpëton shpirtin nga vdekja dhe atij vetë do t'i falen shumë mëkate. Unë, Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që jetoni në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, që jeni zgjedhur sipas qëllimit të Perëndisë dhe jeni shenjtëruar nga Shpirti për t'iu bindur Jezu Krishtit dhe për t'u stërpikur me gjakun e tij: hiri dhe paqja u shtoftë ndër ju! Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe trashëgimin e paprishshëm, të panjollë e të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju. Ju jeni ruajtur nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati të zbulohet në kohët e fundit. Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme. Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti. Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë; dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë, sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave. Këtë shpëtim kërkuan profetët e për të patën hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve e u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit e për lavdinë që do të vinte më pas. Profetëve iu zbulua se ato që thoshin nuk ishin për ata vetë, por për ju. Pikërisht këto gjëra ju i keni dëgjuar tashmë nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin në Shpirtin e shenjtë të dërguar prej qiellit. Këto do të donin t'i shihnin edhe engjëjt. Prandaj, bëhuni gati shpirtërisht, rrini zgjuar dhe shpresoni plotësisht në hirin që do t'ju jepet kur të shfaqet Jezu Krishti. Si bij të bindur, mos jetoni sipas dëshirave të mëparshme, që i kishit kur ishit në padije. Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri. Sepse është shkruar: jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë. Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë. Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari, por me gjakun e çmuar të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë. Flijimi i Krishtit ishte caktuar nga Perëndia që përpara se të krijohej bota, por për ju u shfaq në këto kohët e fundit. Nëpërmjet tij ju besoni në Perëndinë që e ngjalli atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi. Kështu, besimi dhe shpresa juaj janë në Perëndinë. Tani që ju i keni pastruar shpirtrat duke iu bindur së vërtetës dhe i keni dashur sinqerisht vëllezërit, ta doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt e me zemër të pastër! Ju nuk keni rilindur nga fara që prishet, por nga fara që nuk prishet, nga fjala e Perëndisë së gjallë e të amshuar. Sepse thuhet: çdo njeri është si bari dhe gjithë lavdia e tij është si lulja e barit. Bari u tha e lulja u vyshk, ndërsa fjala e Zotit mbetet në amshim. Kjo fjalë është ungjilli që ju është shpallur juve. Hidhni tej çdo lloj ligësie e çdo lloj mashtrimi, hipokrizie, smire apo përgojimi! Dëshironi qumështin e pastër shpirtëror si foshnja të sapolindura, që të rriteni drejt shpëtimit. Ju e keni shijuar se Zoti është i mirë. Afrohuni tek ai që është guri i gjallë, i cili u hodh poshtë nga njerëzit, por u zgjodh dhe u çmua nga Perëndia. Edhe ju si gurë të gjallë ndërtoni shtëpinë shpirtërore, ku do të shërbeni si priftëri e shenjtë duke kushtuar flijime shpirtërore që i pëlqejnë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit. Sepse Shkrimi thotë: unë zgjodha një gur të çmuar dhe e vura në Sion si gurin e qoshes. Kush beson në të nuk do të turpërohet. Për ju që besoni, ky gur është i çmueshëm, ndërsa për ata që nuk besojnë, guri që ndërtuesit e hodhën tej u bë guri i qoshes, guri që i rrëzon e shkëmbi që i pengon. Ata që rrëzohen nuk i binden fjalës dhe për këtë janë caktuar. Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme. Ju që dikur nuk ishit popull, tani jeni populli i Perëndisë. Ju që ishit të përjashtuar nga mëshira, tani u mëshiruat. Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore që luftojnë kundër shpirtit. Sjellja juaj ndër kombet të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij. Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë, qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. Silluni si njerëz të lirë e mos e përdorni lirinë si mbulesë për ligësinë, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë. Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin. Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë e zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve. Se është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë. Çfarë vlere ka nëse duroni mundimet kur keni bërë faj? Por nëse duroni vuajtjet kur keni bërë të mirën, kjo është hir para Perëndisë. Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për ju. Ai ju la shembullin, që të ndiqni edhe ju gjurmët e tij. Ai nuk bëri asnjë mëkat, në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim. Kur poshtërohej, ai nuk poshtëronte, kur vuante, nuk kërcënonte, por ia la veten në dorë Perëndisë që gjykon me drejtësi. Ai i mori mëkatet tona në trupin e vet mbi dru, që ne të vdesim ndaj mëkatit e të jetojmë me drejtësi. Ju u shëruat nga plagët e tij. Ju ishit si dele të humbura, por tani u kthyet te bariu e mbikëqyrësi i shpirtrave tuaj. Edhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj! Kështu, edhe nëse disa nuk i binden fjalës së Perëndisë do të fitohen nga sjellja e grave të tyre pa ndihmën e fjalëve, kur të shohin sjelljen tuaj të pastër dhe me respekt. Stolia juaj të mos jetë nga ana e jashtme: flokët gërsheta, stolisja me ar apo veshja e rrobave të shtrenjta, por të jetë njeriu i brendshëm me zemër të pastër e me shpirt të butë e të qetë. Këto nuk prishen dhe janë shumë të çmueshme në sytë e Perëndisë. Sepse kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë. Iu nënshtroheshin burrave, sikurse edhe Sara i bindej Abrahamit dhe e quante «imzot». Edhe ju jeni bija të saj, nëse bëni të mirën dhe nuk keni frikë nga asgjë. Po ashtu edhe ju, burra, jetoni me gratë tuaja, duke pasur parasysh se ato janë më të dobëta. Nderojini, sepse edhe ato do të trashëgojnë hirin e jetës bashkë me ju, në mënyrë që asgjë të mos pengojë lutjet tuaja. Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm e të përulur. Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe as poshtërimin me poshtërim! Përkundrazi, bekoni, sepse u thirrët pikërisht për të trashëguar bekimin. Kush e do jetën e dëshiron të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët e tij të mos thonë gënjeshtra. Le të largohet nga e keqja e le të bëjë të mirën. Le të kërkojë paqen e le të rendë pas saj. Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët e veshët e tij dëgjojnë klithmën e tyre, por ai u kundërvihet atyre që bëjnë keq. E kush do t'ju bëjë keq nëse jepeni me zell pas së mirës? Por edhe nëse vuani për hir të drejtësisë, lum ju! Mos kini frikë nga kërcënimet e tyre e mos u tronditni. Nderoni në zemrat tuaja Zotin Krisht dhe jini gjithmonë gati për t'ju përgjigjur atyre që kërkojnë arsyen e shpresës që është në ju. Por bëjeni këtë me butësi, me druajtje ndaj Perëndisë e me ndërgjegje të pastër, në mënyrë që ata që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, të turpërohen për shpifjet. Është më mirë të vuani duke bërë të mirën, nëse ky është vullneti i Perëndisë, sesa duke bërë të keqen. Sepse edhe Krishti vuajti një herë e përgjithmonë për mëkatet tona, ai, i drejti për të padrejtët, për t'ju çuar te Perëndia. Ai vdiq me trup, por u ngjall me anë të Shpirtit. Me anë të Shpirtit, ai shkoi e u predikoi edhe shpirtrave që ishin në burg, të cilët nuk iu bindën Perëndisë kur ai i priste me durim gjatë ditëve kur Noeu ndërtonte arkën. Në të hynë pak njerëz, vetëm tetë frymë, që shpëtuan nëpërmjet ujit. Ky ujë është shëmbëllesa e sotme e pagëzimit që ju shpëton. Nuk ka të bëjë me pastrimin e papastërtive të trupit, por është një premtim që i bëhet me ndërgjegje të pastër Perëndisë. Pagëzimi ju shpëton nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit, i cili u ngjit në qiell e rri në të djathtë të Perëndisë, ku sundon mbi engjëjt, pushtetet e fuqitë qiellore. Meqenëse Krishti vuajti në trup, atëherë duhet që edhe ju të armatoseni me të njëjtën mendësi, sepse ai që vuan në trup pushon së mëkatuari. Që tani e tutje ta jetoni atë që ju ka mbetur nga jeta në trup jo sipas kënaqësive njerëzore, por sipas vullnetit të Perëndisë. Mjaft kohë keni humbur duke jetuar sipas dëshirave të kombeve, duke jetuar në fëlligështi, në kënaqësi, në dehje, në darka të shfrenuara, në të pira e në idhujtari të neveritshme. Tani atyre u duket çudi që ju nuk rendni më me ta në të njëjtin lumë poshtërsish dhe prandaj ju fyejnë. Ata do t'i japin llogari atij që është gati për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. Për këtë arsye ungjilli iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen sipas njerëzve në trup e të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt. Fundi i të gjitha gjërave është afër! Bëhuni të urtë e rrini zgjuar për lutje. Para së gjithash, të keni dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon shumë mëkate. Jini mikpritës për njëri-tjetrin pa murmuritur. Secili prej jush, si kujdestar i mirë i dhuntive të ndryshme të Perëndisë, ta përdorë dhuntinë e tij për t'u shërbyer të tjerëve. Kush predikon, le të predikojë fjalët e Perëndisë dhe kush shërben, le të shërbejë sipas fuqisë që i jep Perëndia, që Perëndia të përlëvdohet në gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve! Amen! Fort të dashur, mos u çuditni për sprovën e zjarrit nëpër të cilën po kaloni për t'u sprovuar, si të ishte diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni që jeni pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit, që edhe kur të shfaqet lavdia e tij, të gëzoheni e të ngazëlloheni. Lum ju nëse ju tallin për shkak të emrit të Krishtit, sepse Shpirti i lavdisë dhe i Perëndisë prehet mbi ju. Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës apo pse përzihet në punët e të tjerëve. Nëse vuan si i krishterë, të mos ketë turp, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër. Erdhi koha që gjykimi të fillojë nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë? Nëse i drejti shpëton me vështirësi, ç'do të ndodhë me të pafeun e mëkatarin? Ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le të bëjnë të mirën e le t'ia besojnë plotësisht shpirtin krijuesit besnik. U lutem pleqve tuaj, unë që jam plak bashkë me ta, si dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit e pjesëtar i lavdisë që do të shfaqet: ruajeni grigjën e Perëndisë që ju është besuar dhe mbikëqyreni jo me detyrim, por vullnetarisht sipas dëshirës së Perëndisë, as për përfitim, por me dëshirë. Mos u sillni si sundues mbi ata që ju janë besuar, por bëhuni shembull për grigjën dhe kur të shfaqet Kryebariu do të merrni kurorën e lavdisë që nuk vyshket. Po ashtu edhe ju të rinj nënshtrojuni të moshuarve. Të gjithë bashkë shërbejini njëri-tjetrit me përulësi, sepse Perëndia u kundërvihet kryelartëve, ndërsa të përulurve u jep hir. Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t'ju lartësojë në kohën e duhur. Gjithë shqetësimet tuaja lërini në dorë të tij dhe ai do të kujdeset për ju. Kini kujdes e rrini zgjuar! Kundërshtari juaj, djalli, sillet rrotull si luan i egërsuar duke kërkuar kë të përpijë. Kundërshtojeni duke qëndruar të fortë në besim. Duhet ta dini se të njëjtat vuajtje i heqin të gjithë vëllezërit tuaj nëpër botë. Perëndia i çdo hiri, që ju thirri për lavdinë e tij të amshuar përmes Krishtit Jezu, pasi të vuani për pak kohë, do t'ju përsosë, do t'ju forcojë, do t'ju mbështetë e do t'ju vendosë mbi themele të forta. Atij i qoftë pushteti, në shekuj të shekujve! Amen! Nëpërmjet Silvanit, të cilin e çmoj si vëllanë tuaj besnik, ju shkrova shkurt për t'ju dëshmuar se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë. Qëndroni në këtë hir! Ju përshëndet kisha e Babilonisë, e zgjedhur si ju, dhe Marku, biri im. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Paqja qoftë me të gjithë ju që i përkisni Krishtit! Unë, Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që nga drejtësia e Perëndisë tonë dhe e shpëtimtarit Jezu Krisht keni marrë të njëjtin besim me ne: hiri e paqja u shtofshin mbi ju me njohjen e Perëndisë e të Zotit tonë Jezu! Fuqia e tij hyjnore na dhuroi gjithçka që na nevojitet për jetën e përkushtuar ndaj Perëndisë, nëpërmjet njohjes së atij që na thirri në lavdinë dhe fuqinë e tij. Me to na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke shpëtuar nga prishja që sjellin kënaqësitë e botës. Prandaj bëni çdo përpjekje për t'i shtuar besimit tuaj virtytin, virtytit diturinë, diturisë vetëkontrollin, vetëkontrollit durimin, durimit përkushtimin ndaj Perëndisë, përkushtimit ndaj Perëndisë dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë. Sepse nëse i keni të gjitha këto me shumicë, ato nuk do t'ju lejojnë të bëheni përtacë e të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kush nuk i ka këto, është i verbër e dritëshkurtër dhe ka harruar se është pastruar nga mëkatet e tij të vjetra. Prandaj, vëllezër, përpiquni ta forconi sa më shumë thirrjen dhe zgjedhjen tuaj nga Perëndia, sepse po t'i bëni këto gjëra, nuk do të bini kurrë. Kështu do t'ju hapet plotësisht hyrja për në mbretërinë e amshuar të Zotit e të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Për këtë arsye do të vazhdoj t'jua kujtoj përherë këto gjëra, edhe pse i dini e jeni të palëkundur në këtë të vërtetë. Mendoj se është e drejtë t'ju mbaj zgjuar duke jua kujtuar ato për sa të jem në këtë jetë. Unë e di se do ta lë shpejt këtë trup, sikurse ma ka shfaqur Zoti ynë Jezu Krisht. Prandaj do të përpiqem që të mund t'i kujtoni të gjitha këto gjëra edhe pas largimit tim. Ne nuk përdorëm përralla të thurura me mjeshtëri për t'ju shpallur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Ne e kemi parë me sytë tanë madhështinë e tij. Ai mori nder e lavdi nga Perëndia Atë kur nga lavdia madhështore erdhi zëri që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur». Këtë zë që vinte nga qielli e dëgjuam kur ishim me të në malin e shenjtë. Kështu jemi më të sigurt për fjalën profetike, të cilën bëni mirë ta keni si një pishtar që ndriçon në një vend të errët, derisa të agojë dita dhe ylli i mëngjesit të lindë në zemrat tuaja. Duhet të dini së pari se asnjë profeci e Shkrimit nuk shpjegohet sipas mendjes së gjithsecilit, pasi asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëz të frymëzuar nga Shpirti i shenjtë folën nga ana e Perëndisë. Në popull ka pasur edhe profetë të rremë, ashtu si edhe mes jush do të ketë mësues të rremë. Ata do të fusin fshehurazi mësime të cunguara, rrënimtare, e do të mohojnë edhe të Zotin që i bleu. Kështu do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Shumë njerëz do të ndjekin fëlligështitë e tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Nga lakmia për para, ata do t'ju mashtrojnë me fjalë të sajuara. Por gjykimi i tyre, i vendosur qëmoti, nuk do të vonojë dhe shkatërrimi i tyre nuk do të dremisë. Perëndia nuk kurseu as engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në humnerat e skëterrës, ku ruhen të lidhur me pranga në errësirë për ditën e gjykimit. Ai nuk kurseu as botën e lashtë, por kur solli përmbytjen mbi botën e të pafeve, shpëtoi vetëm Noeun, vetë i tetë, predikuesin e drejtësisë. Dënoi me shkatërrim edhe qytetet e Sodomës dhe Gomorrës, duke i bërë hi dhe i bëri shembull për ata që në të ardhmen do të jetonin pa besim. Por shpëtoi Lotin e drejtë, i cili vuante nga sjellja e fëlligësht e të pafeve. Ky i drejtë jetonte mes tyre dhe shpirti i tij i drejtë mundohej dita-ditës kur shikonte me sy dhe dëgjonte me veshë veprat e tyre të paudha. Zoti di t'i shpëtojë nga tundimi ata që i janë përkushtuar atij dhe di t'i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjykimit, sidomos ata që shkojnë pas lakmive të epsheve trupore dhe përbuzin pushtetin e Perëndisë. Ata janë të paturpshëm, përbuzës dhe njerëz që nuk kanë frikë të fyejnë fuqitë e lavdishme qiellore, ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj për nga forca dhe pushteti nuk sjellin para Zotit gjykime fyese kundër tyre. Por ata janë pa mend, si kafshët që lindin për t'u kapur e për t'u therur. Ata flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të shkatërrohen po ashtu si kafshët; do të marrin shpagimin e padrejtësisë. Ata e kanë për kënaqësi kur e kalojnë ditën në shthurje. Është njollë e turp që ata të marrin pjesë në darkat tuaja kur vazhdojnë ende të kënaqen në mashtrimet e tyre. Sytë i kanë plot dëshirë për të bërë tradhti bashkëshortore dhe nuk pushojnë së mëkatuari. Mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, zemrën e kanë të stërvitur për lakmi dhe janë bij mallkimi. Ata e lanë udhën e drejtë dhe u mashtruan e shkuan pas udhës së Balaamit, birit të Bosorit, që donte të fitonte duke bërë padrejtësi. Por ai u ndëshkua për paudhësinë e tij, sepse kafsha pa gojë foli si njeri dhe e pengoi marrëzinë e profetit. Këta janë burime pa ujë dhe re që shtyhen nga era, për të cilët është ruajtur terri i errësirës. Me fjalë të fryra e të kota bëjnë për vete me anë të kënaqësive trupore dhe me anë të fëlligështive ata që sapo kishin shpëtuar prej atyre që jetojnë në mashtrim. U premtojnë liri kur ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse njeriu bëhet skllav i atij që e mposht. Nëse ata që u larguan nga ndyrësitë e botës nëpërmjet njohjes së Zotit dhe të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht ngatërrohen përsëri me këto gjëra dhe mposhten nga ato, atëherë gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para. Do të ishte më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën, ta braktisin urdhërimin e shenjtë që iu dha. Këtu ndodh si te ajo fjala e urtë dhe e vërtetë: « Qeni u kthye në të vjellat e veta » dhe: «Dosa e larë u kthye të zhgërryhet sërish në llucë». Fort të dashur, kjo është tashmë letra e dytë që po ju shkruaj. Në të dyja po përpiqem t'ju zgjoj kujtesën, që me mendje të kthjellët të kujtoni fjalët që janë thënë më përpara nga profetët e shenjtë dhe urdhërimin e Zotit dhe të shpëtimtarit tonë që ju shpallën apostujt. Së pari, duhet të dini se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës që jetojnë sipas dëshirave të tyre. Ata do t'ju përqeshin e do t'ju thonë: «Ku është premtimi i ardhjes së Zotit? Të parët tanë vdiqën, por gjithçka mbeti si në fillim të krijimit». Ata harrojnë me dashje se qiejt, kohë më parë, u bënë me fjalën e Perëndisë. Po ashtu edhe toka që u bë nga uji e nëpërmjet ujit. Po me ujë u shkatërrua bota e atëhershme, kur u bë përmbytja. Ky qiell e kjo tokë ruhen nga e njëjta fjalë, për t'u shkatërruar me zjarr kur të vijë dita e gjykimit dhe e shkatërrimit të të pafeve. Edhe këtë gjë mos e harroni, fort të dashur, se për Zotin një ditë është si një mijë vjet dhe një mijë vjet janë si një ditë. Zoti nuk e vonon premtimin, siç mendojnë disa, por është i duruar me ju, sepse nuk dëshiron që ndokush të humbasë, por dëshiron që të gjithë të kthehen në pendim. Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi. Atë ditë qiejt do të zhduken me krisma, elementet e natyrës do të shkrihen nga nxehtësia dhe toka e gjithçka që ajo mban do të digjen. Nëse gjithçka do të tretet në këtë mënyrë, atëherë e kuptoni se duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të jeni të përkushtuar ndaj Perëndisë, duke pritur e duke u përpjekur ta afroni ardhjen e ditës së Perëndisë, në të cilën qiejt do të treten me zjarr dhe elementet e natyrës do të shkrihen nga nxehtësia. Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj dhe tokë të re, ku banon drejtësia. Prandaj, fort të dashur, duke pritur këto, përpiquni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë e në paqe. Durimin e Zotit çmojeni si mundësi për shpëtim, sikurse ju shkroi edhe vëllai ynë i dashur, Pali, sipas urtisë që i dha Perëndia. Në të gjitha letrat e tij ai shkruan për këto gjëra. Por në to ka disa pjesë të vështira për t'u kuptuar, që të paditurit e të paqëndrueshmit i shtrembërojnë. Ata bëjnë ashtu edhe me Shkrime të tjera për rrënimin e vetes së tyre. Ndërsa ju, fort të dashur, meqenëse i dini këto gjëra që më përpara, ruhuni që të mos bini në mashtrimin e të pabesëve dhe të humbisni sigurinë e besimit tuaj. Vazhdoni të përparoni në hirin dhe në njohjen e Zotit e të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht! Atij i qoftë lavdia, tani e përherë, deri në ditën e amshimit! Amen! Po ju shkruajmë për Fjalën e jetës që ishte nga fillimi, që e dëgjuam dhe e pamë me sytë tanë, që e soditëm dhe e prekëm me duart tona. Jeta u shfaq dhe ne e pamë. Prandaj dëshmojmë dhe ju shpallim jetën e amshuar, që ishte me Atin dhe na u shfaq neve. Po ju shpallim atë që pamë dhe dëgjuam, që edhe ju të keni bashkësi me ne, sepse bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. Këto gjëra po i shkruajmë që gëzimi ynë të jetë i plotë. Ky është lajmi që dëgjuam prej tij dhe po jua njoftojmë juve: Perëndia është dritë dhe në të nuk ka kurrfarë errësire. Po të themi se kemi bashkësi me të, por jetojmë në errësirë, gënjejmë dhe nuk veprojmë sipas së vërtetës. Por po të jetojmë në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Po të themi se nuk kemi mëkat, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. Po të rrëfejmë mëkatet tona, Perëndia që është besnik dhe i drejtë do të na i falë mëkatet e do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. Po të themi se nuk kemi mëkatuar, e bëjmë Perëndinë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne. Bijtë e mi, këto gjëra jua shkruaj që të mos mëkatoni. Por edhe nëse dikush mëkaton, mbrojtës tek Ati kemi Jezu Krishtin, të drejtin. Ai u flijua për mëkatet tona, e jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për mëkatet e gjithë botës. Nëse zbatojmë urdhërimet e tij, atëherë e dimë se e kemi njohur atë. Ai që thotë: «Unë e kam njohur Perëndinë», por nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. Por tek ai që e zbaton fjalën e tij, dashuria e Perëndisë është me të vërtetë e përsosur. Kështu mund ta dimë se jemi në Perëndinë. Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë në të njëjtën udhë nëpër të cilën eci Jezu Krishti. Fort të dashur, nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e kishit që nga fillimi. Urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat. Megjithatë, po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë për Krishtin dhe për ju, se errësira po shkon dhe tashmë po ndrin drita e vërtetë. Ai që thotë se është në dritë, por urren vëllanë e vet, ai është ende në errësirë. Ai që do vëllanë e vet, qëndron në dritë e nuk bëhet pengesë. Por ai që urren vëllanë e vet, është në errësirë. Ai ecën në errësirë e nuk sheh ku shkon, se errësira ia ka verbuar sytë. Po ju shkruaj, o bij, se mëkatet tuaja u falën me anë të emrit të tij. Po ju shkruaj, o etër, se e keni njohur atë që është që nga fillimi. Po ju shkruaj, o të rinj, se e keni mundur të ligun. Ju shkrova, o bij, se e keni njohur Atin. Ju shkrova, o etër, se e keni njohur atë që është që nga fillimi. Ju shkrova, o të rinj, se jeni të fortë; fjala e Perëndisë banon në ju dhe e keni mundur të ligun. Mos e doni botën dhe as gjërat e saj. Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të. Gjithçka që është në botë, epshet trupore, lakmia e syve dhe mburrja për gjërat e kësaj jete, nuk janë nga Ati, por nga bota. Bota me gjithë kënaqësitë e saj shkojnë, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në amshim. Bijtë e mi, po vjen ora e fundit! Siç keni dëgjuar, antikrishti po vjen. Tani ka shumë antikrishtë dhe nga kjo e dimë se po vjen ora e fundit. Nga ne dolën, por nuk ishin nga tanët. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne, por ikën prej nesh që të duket qartë se të gjithë ata nuk janë nga tanët. Ju jeni vajosur nga i Shenjti, prandaj të gjithë e dini të vërtetën. Nuk ju shkrova ngaqë nuk e njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe e dini se asnjë gënjeshtër nuk vjen nga e vërteta. Kush është gënjeshtari, pra? A nuk është ai që mohon se Jezui është Krishti? Ai është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin. Ai që mohon Birin, nuk e ka as Atin. Ai që e rrëfen Birin, e ka edhe Atin. Le të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi. Po të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi, atëherë edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. Dhe ky është premtimi që na ka bërë ai: jeta e amshuar. Këto gjëra jua shkrova për shkak të atyre që kërkojnë t'ju mashtrojnë. Sa për ju, vajosja që morët prej Krishtit qëndron në ju dhe nuk ka nevojë t'ju mësojë kush. Vajosja e tij ju mëson për gjithçka. Krishti është i vërtetë dhe nuk është i gënjeshtërt. Prandaj qëndroni në të ashtu siç ju mësoi. Dhe tani, bijtë e mi, qëndroni në të, që kur ai të shfaqet në ardhjen e tij, të kemi siguri të plotë dhe të mos turpërohemi para tij. Përderisa e dini që Krishti është i drejtë, atëherë duhet të dini edhe se kushdo që vepron me drejtësi ka lindur prej tij. Shikoni ç'dashuri të madhe na ka dhënë Ati: të quhemi bij të Perëndisë. Dhe me të vërtetë jemi, prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur as atë. Fort të dashur, tani jemi bij të Perëndisë dhe nuk na është shfaqur ende se çfarë do të jemi, por dimë që kur të shfaqet Krishti, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Dhe kush ka këtë shpresë tek ai, bëhet i pastër, sikurse është i pastër ai. Kush bën mëkat, shkel ligjin, sepse mëkati është shkelja e ligjit. Ju e dini se Jezu Krishti u shfaq për të marrë mbi vete mëkatet dhe në të nuk ka mëkat. Kush qëndron në të, nuk mëkaton. Kush mëkaton, nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur atë. Bijtë e mi, mos t'ju mashtrojë askush! Ai që bën drejtësinë është i drejtë, sikurse është i drejtë Jezu Krishti. Ai që bën mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkatoi që nga fillimi. Prandaj u shfaq Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. Kush ka lindur nga Perëndia, nuk bën mëkat, sepse fara e jetës së Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë, meqenëse ka lindur nga Perëndia. Ja nga dallohen qartë bijtë e Perëndisë nga bijtë e djallit: kush nuk bën atë që është e drejtë dhe nuk do vëllanë e vet, nuk është nga Perëndia. Kjo është porosia që keni dëgjuar që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin, jo si Kaini, që ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe përse e vrau? Ngaqë veprat e tij ishin të liga, ndërsa veprat e vëllait të tij ishin të drejta. Mos u habisni, vëllezër, nëse bota ju urren! Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. Ai që nuk ka dashuri mbetet në vdekje. Kush urren vëllanë është njeri-vrasës dhe ju e dini se asnjë njeri-vrasës nuk ka më jetë të amshuar. Ja si e njohëm dashurinë: Jezu Krishti dha jetën e tij për ne, prandaj edhe ne duhet të japim jetën për vëllezërit tanë. Nëse dikush që ka të mirat e kësaj bote shikon vëllanë e vet në nevojë, por e ngurtëson zemrën ndaj tij, si mund të qëndrojë në të dashuria e Perëndisë? Bijtë e mi, të mos duam me fjalë a me gojë, por me vepra dhe me të vërtetë. Ja si do ta dimë se jemi nga e vërteta dhe zemra jonë do të ketë siguri para Perëndisë: edhe nëse zemra na padit, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. Fort të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë dhe do të marrim prej tij ç'të kërkojmë, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që i pëlqejnë atij. Urdhërimi i tij është t'i besojmë emrit të Birit të tij Jezu Krisht dhe të duam njëri-tjetrin siç na urdhëroi ai. Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Nga kjo gjë ne dimë se Perëndia qëndron në ne: nga Shpirti që na dha. Fort të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për të parë nëse janë nga Perëndia ose jo, sepse në botë kanë dalë shumë profetë të rremë. Shpirtin e Perëndisë do ta njihni nga kjo gjë: çdo shpirt që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur me trup njerëzor, është nga Perëndia. Çdo shpirt që nuk e rrëfen Jezuin, nuk është nga Perëndia. Ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vjen dhe, madje, tashmë ai është në botë. Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë. Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon. Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Prej kësaj do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit. Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij. Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona. Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne. Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij. Ne kemi parë e dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës. Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë. Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të. Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai. Në dashuri nuk ka frikë, madje, dashuria e përsosur e dëbon frikën. Frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri. Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari. Po të thotë ndonjë: «Unë e dua Perëndinë», por urren vëllanë e vet, ai është gënjeshtar. Kush nuk do vëllanë, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e ka parë. Këtë urdhërim kemi prej tij: kush e do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet. Kush beson se Jezui është Krishti, ka lindur prej Perëndisë dhe kush e do të atin, do edhe fëmijët e tij. Ja si e dimë se i duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Dashuria e Perëndisë është të zbatojmë urdhërimet e tij dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda, sepse kush ka lindur prej Perëndisë e mund botën dhe fitorja që mundi botën është besimi ynë. Kush e mund botën? Vetëm ai që beson se Jezui është Biri i Perëndisë. Jezu Krishti është ai që erdhi nëpërmjet ujit të pagëzimit të tij dhe nëpërmjet gjakut të vdekjes së tij në kryq, jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Ai që dëshmon është Shpirti dhe ai është e vërteta. Tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti, uji e gjaku, dhe që të tre japin të njëjtën dëshmi. Ne pranojmë dëshminë e njerëzve, por dëshmia e Perëndisë është më e madhe dhe ajo është dëshmia që dha për Birin e tij. Ai që beson në Birin e Perëndisë e ka këtë dëshmi. Ai që nuk beson në Perëndinë, e ka bërë atë gënjeshtar, pasi nuk i ka besuar dëshmisë që Perëndia dha për Birin e vet. Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën. Ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka as jetën. Këto gjëra jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, në mënyrë që ta dini se keni jetën e amshuar. Kjo është siguria që kemi para Perëndisë: nëse i kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon. Meqenëse e dimë se ai i dëgjon kërkesat tona, atëherë e dimë edhe se do të na plotësohen. Nëse dikush shikon vëllanë e vet të bëjë mëkat që nuk të çon në vdekje, le t'i lutet Perëndisë dhe ai do t'i japë jetë. Këtë e them për ata që nuk bëjnë mëkate që të çojnë në vdekje. Ka edhe mëkat që të çon në vdekje, por nuk ju them të luteni për këtë mëkat. Çdo padrejtësi është mëkat, por ka edhe mëkate që nuk të çojnë në vdekje. E dimë se kush ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton, sepse atë e ruan Biri i Perëndisë dhe i ligu nuk mund ta prekë. Ne e dimë se jemi prej Perëndisë dhe se e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut. Dimë edhe se Biri i Perëndisë erdhi e na dha dijen për të njohur Perëndinë e vërtetë. Ne jemi të bashkuar me Perëndinë e vërtetë përmes Birit të tij Jezu Krisht. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e amshuar. Bijtë e mi, ruani veten nga idhujt. Unë, plaku, po i shkruaj zonjës së zgjedhur e bijve të saj, që i dua me të vërtetë e jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që kanë njohur të vërtetën. Ju duam për hir të së vërtetës që qëndron në ne e që do të jetë me ne në amshim. Hiri, mëshira e paqja, që vijnë prej Perëndisë Atë e prej Jezu Krishtit, Birit të tij, qofshin me ne, në të vërtetë e në dashuri. U gëzova pa masë që gjeta disa nga bijtë e tu duke jetuar në të vërtetën sipas urdhërimit që morëm nga Ati. Dhe tani të lutem ty, o zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por urdhërimin që kishim që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin. Kjo është dashuria: të jetojmë sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e keni dëgjuar që nga fillimi, urdhërimi është ky: jetoni në dashuri. Në botë kanë dalë shumë mashtrues, që nuk rrëfejnë se Jezu Krishti erdhi me trup njerëzor. Kush thotë kështu, është mashtruesi dhe antikrishti. Kini kujdes veten tuaj, që të mos humbisni frytin e punës sonë, por të merrni shpërblimin e plotë. Kush del nga mësimi i Krishtit e nuk qëndron në të, nuk ka Perëndi. Ai që qëndron në mësimin e Krishtit, ka edhe Atin, edhe Birin. Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni në shtëpi e mos e përshëndetni. Kush e përshëndet atë, bëhet pjesëtar në veprat e tij të liga. Megjithëse kisha shumë gjëra për t'ju shkruar, nuk doja ta bëja me letër e bojë, por shpresoj të vij te ju e t'ju flas gojarisht, në mënyrë që gëzimi ynë të jetë i plotë. Të përshëndesin bijtë e motrës sate të zgjedhur. Unë, plaku, po i shkruaj Gajit të dashur, që e dua me të vërtetë: fort i dashur, uroj që gjithçka të shkojë mirë e të gëzosh shëndet, sikurse je mirë shpirtërisht. U gëzova pa masë kur erdhën disa vëllezër e dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës dhe sesi jeton ti në të. Nuk kam gëzim më të madh sesa kur dëgjoj që bijtë e mi jetojnë në të vërtetën. Fort i dashur, ti vepron si besimtar i vërtetë në gjithçka që bën për vëllezërit, madje edhe për të huajt. Ata dëshmuan para kishës për dashurinë tënde. Do të bëje mirë t'i ndihmoje ta vazhdojnë udhëtimin në mënyrë të denjë për Perëndinë. Ata kanë dalë për t'i shërbyer emrit të Krishtit, duke mos pranuar asgjë nga kombet. Ndërsa ne e kemi për detyrë të përkrahim njerëz të tillë, që të bëhemi kështu bashkëpunëtorë të së vërtetës. I shkrova një letër kishës, por Diotrefi, të cilit i pëlqen të jetë i pari i tyre, nuk na pranoi. Prandaj, kur të vij, do t'ia kujtoj veprat që bën dhe fjalët e këqija që thotë për ne. Si të mos mjaftohej me kaq, ai jo vetëm që vetë nuk i pranon vëllezërit, por pengon edhe ata që duan t'i pranojnë e madje i përjashton nga kisha. Fort i dashur, mos shkërbe të keqen, por të mirën. Kush bën të mirën, është nga Perëndia. Kush bën të keqen, nuk e ka parë Perëndinë. Për Dhimitrin dëshmojnë mirë të gjithë, madje edhe vetë e vërteta. Dëshmojmë edhe ne për të dhe ti e di se dëshmia jonë është e vërtetë. Kam shumë gjëra për të të shkruar, por nuk dua t'i shkruaj me bojë e penë. Shpresoj të të shoh së shpejti e të flasim gojarisht. Paqja qoftë me ty! Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë një nga një. Unë Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit e vëlla i Jakobit, po ju shkruaj juve, të thirrurve në besim, të dashur nga Perëndia Atë e të mbrojtur nga Jezu Krishti: mëshira, paqja e dashuria u shtofshin ndër ju! Fort të dashurit e mi, kisha një dëshirë të madhe t'ju shkruaj për shpëtimin tonë të përbashkët. Tani është e nevojshme t'ju shkruaj e t'ju nxis të luftoni për besimin që Perëndia ua dha të shenjtëve një herë e përgjithmonë. Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar qëmoti për këtë dënim. Ata janë të pafe që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues e Zot tonin. Ndonëse i dini të gjitha, dua t'ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij një herë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin. Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe. Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar. Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore. Kur rragatej me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!». Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre. Mjerë ata, se kanë marrë udhën e Kainit dhe nga etja për fitim janë dhënë pas mashtrimit të Balaamit dhe u shkatërruan, sepse ngritën krye si Koreu! Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara e të shkulura nga rrënjët, si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar. Për këta ka profetizuar edhe Enoku, i shtati pas Adamit, dhe ka thënë: «Ja ku erdhi Zoti me dhjetëra mijëra engjëj, për t'i gjykuar të gjithë e për të ndëshkuar të gjithë të pafetë për të gjitha veprat e liga që kanë bërë e për të gjitha fjalët fyese që thanë mëkatarët e pafe kundër tij». Këta janë njerëz që murmurisin e ankohen për gjithçka. Ata jetojnë sipas dëshirave të tyre, goja e tyre flet fjalë krenarie dhe njerëzve u thurin lajka për përfitim. Ndërsa ju fort të dashur, kujtoni fjalët që ju kanë thënë më parë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht: «Në kohët e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas dëshirave të tyre të shthurura». Këta janë ata që shkaktojnë përçarje, janë njerëz shqisorë dhe nuk e kanë Shpirtin. Ndërsa ju, fort të dashurit e mi, ndërtojeni veten me besimin tuaj shumë të shenjtë e lutuni me fuqinë e Shpirtit të shenjtë. Qëndroni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetën e amshuar. Kini mëshirë për ata që janë me dy mendje. Disa shpëtojini, duke i rrëmbyer prej zjarrit; të tjerët t'i mëshironi me druajtje, duke urryer edhe rrobën e tyre të ndotur nga epshet e trupit. Atij që mund t'ju ruajë për të mos rënë në mëkat e që mund t'ju paraqesë pa të meta e plot gëzim para lavdisë së tij, të vetmit Perëndi, shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, atij i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti që përpara shekujve, tani e për të gjithë shekujt! Amen! Kjo është zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t'u treguar shërbëtorëve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti. Jezui ia bëri të njohura shërbëtorit të tij Gjon duke i dërguar engjëllin e tij. Gjoni dëshmoi gjithçka që pa: fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit. Lum ai që i lexon dhe lum ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e i zbatojnë ato që janë shkruar në të, sepse koha e përmbushjes së tyre po afron. Gjoni u shkruan shtatë kishave që ndodhen në Azi: qoftë me ju hiri e paqja nga Perëndia, që është, që ishte e që po vjen; nga shtatë shpirtrat, që janë para fronit të tij, dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari, besniku, i pari i ngjallur prej të vdekurve e prijësi i mbretërve të tokës. Ai na deshi, na çliroi nga mëkatet tona me gjakun e tij e na bëri mbretëri priftërinjsh të Perëndisë e Atit. Atij i qoftë lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve! Amen! Ja, ai vjen me retë! Të gjithë do ta shohin, edhe ata që e shpuan me heshtë. Gjithë fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen! «Unë jam Alfa dhe Omega », thotë Zoti Perëndi, i gjithëpushtetshmi, ai që është, që ishte e që po vjen. Unë Gjoni, vëllai juaj, që në Jezuin ndaj me ju pikëllimin, pritjen e mbretërisë dhe qëndresën, isha në ishullin që quhet Patmos për shkak të fjalës së Perëndisë dhe të dëshmisë për Jezu Krishtin. Ditën e Zotit, i rrëmbyer nga Shpirti, dëgjova pas meje një zë të fortë si trumbetë, që tha: «Atë që shikon, shkruaje në një libër dhe dërgoja shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi e në Laodice». U ktheva për të parë zërin që po më fliste. Atëherë pashë shtatë shandanë të artë dhe në mes të shandanëve pashë dikë që ngjante me bir njeriu, të veshur me rrobë të gjatë e me brez të artë rreth kraharorit. Koka dhe flokët e tij ishin të bardhë porsi leshi i bardhë dhe si dëbora, ndërsa sytë e tij si flakë zjarri. Këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, të pastruar në furrë, ndërsa zëri i tij si ushëtima e ujërave të detit. Në dorën e djathtë mbante shtatë yje, ndërsa nga goja i dilte një shpatë e mprehtë me dy tehe. Fytyra e tij ishte si dielli kur ndriçon me gjithë forcën e tij. Kur e pashë, rashë si i vdekur para këmbëve të tij. Ai vuri dorën e djathtë mbi mua e më tha: «Mos ki frikë! Unë jam i pari dhe i fundit. Unë jam ai që jeton. Isha i vdekur, por ja ku jam i gjallë në shekuj të shekujve. Unë kam çelësat e vdekjes dhe të skëterrës. Shkruaj, pra, gjërat që pe: ato që po ndodhin dhe ato që do të ndodhin më vonë. Ja e fshehta e shtatë yjeve që pe në dorën time të djathtë dhe e shtatë shandanëve të artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, ndërsa shtatë shandanët janë shtatë kishat». «Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: kështu thotë ai që mban shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, ai që ecën mes shtatë shandanëve të artë: i njoh veprat e tua, mundimin dhe durimin tënd. Di edhe se nuk i duron të këqijtë dhe i vure në provë ata që e quajnë veten apostuj, por që në të vërtetë nuk janë dhe që të dolën gënjeshtarë. Ke bërë durim, ke vuajtur për emrin tim e nuk je lodhur. Por, kam diçka kundër teje. Dashurinë tënde të parë e harrove. Kujtohu, pra, sa poshtë ke rënë, pendohu dhe bëj veprat e para. Nëse nuk pendohesh, do të vij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi. Por ti ke këtë të mirë, se i urren veprat e nikolaitëve që edhe unë i urrej. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton, do t'i jap të hajë nga pema e jetës që është në parajsën e Perëndisë». «Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë: e njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit. Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë në burg disa prej jush, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: ai që fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë». «Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: e di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës, dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani. Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t'u bëhej pengesë bijve të Izraelit, t'i bënte të hanin flijime idhujsh e të jepeshin pas kurvërisë. Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëve. Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti e do t'i luftoj me shpatën e gojës sime. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton do t'i jap nga mana e fshehur. Do t'i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr». «Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: kështu thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e të cilit ngjajnë me bronz të kulluar: i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe durimin tënd. Di edhe që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. Por kam diçka kundër teje. Ti lejon Izebelën, një grua që e quan veten profeteshë, të mësojë e të mashtrojë shërbëtorët e mi, duke i shtyrë të jepen pas kurvërisë e të hanë flijime idhujsh. I dhashë kohë të pendohet, por ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga kurvëria e saj. Ja, unë do ta bëj të zërë shtratin dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të do të kenë vuajtje të mëdha nëse nuk pendohen për ato që bëjnë. Bijtë e saj do t'i ndëshkoj me vdekje dhe le ta marrin vesh të gjitha kishat se unë jam ai që shqyrton mendimet dhe dëshirat. Secilit prej jush do t'i jap sipas veprave të veta. Ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk i ndiqni mësimet e saj e nuk i njihni ato që i quajnë “thellësitë e Satanit”, nuk do t'ju vë barrë tjetër, por mbani fort ato që keni, derisa të kthehem unë. Atij që fiton dhe bën deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet, të cilat ai do t'i udhëheqë me skeptër të hekurt e do t'i thyejë si enë balte, ashtu siç e mora edhe unë pushtetin nga Ati im. Atij do t'i jap edhe yllin e mëngjesit. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti». «Engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: kështu thotë ai që ka shtatë shpirtrat e Perëndisë dhe shtatë yjet: i njoh veprat e tua. Thuhet se jeton, por je i vdekur. Rri zgjuar e jepu forcë të tjerëve, atyre që janë në prag të vdekjes, se veprat e tua para Perëndisë nuk i gjeta të përsosura. Kujto çfarë ke marrë dhe ke dëgjuar! Zbatoji e pendohu! Po të mos zgjohesh do të vij si vjedhës dhe nuk do ta dish orën kur kam për të ardhur kundër teje. Por ka disa nga ju në Sardë që nuk i keni përlyer rrobat. Ju do të jetoni me mua veshur me të bardha, sepse jeni të denjë. Ai që fiton do të vishet me rroba të bardha. Emrin e tij nuk do ta fshij nga libri i jetës, por do ta rrëfej para Atit tim dhe para engjëjve të tij. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti». «Engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji: kështu thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap e askush nuk mund të mbyllë, ai që mbyll e askush nuk mund të hapë: i njoh veprat e tua. E di që nuk ke shumë fuqi, megjithatë e ke zbatuar fjalën time dhe nuk e ke mohuar emrin tim. Ja tek kam vënë para teje një derë të hapur, që askush nuk mund ta mbyllë. Ja se ç'do t'u bëj atyre nga sinagoga e Satanit që thonë se janë judenj, por nuk janë dhe gënjejnë. Do t'i bëj të vijnë e të bien në gjunjë para këmbëve të tua, që ta marrin vesh se unë të kam dashur. Ti e ke zbatuar fjalën time dhe ke bërë durim, prandaj edhe unë do të të ruaj nga sprova e ardhshme që do të vijë mbi gjithë botën për të sprovuar banorët e tokës. Po vij shpejt. Mbaji fort ato që ke, që askush mos të ta rrëmbejë kurorën. Atë që fiton, do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim dhe ai nuk do të dalë kurrë jashtë tij. Në të do të shkruaj emrin e Perëndisë tim dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im. Do të shkruaj edhe emrin tim të ri. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti». «Engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: kështu thotë Amen-i, dëshmitari besnik dhe i vërtetë, burimi i çdo gjëje të krijuar nga Perëndia: i njoh veprat e tua. Nuk je as i ftohtë, as i nxehtë. Sa mirë do të ishte të ishe i ftohtë ose i nxehtë! Por meqenëse je kështu i vakët, as i nxehtë, as i ftohtë, do të të vjell nga goja. Ti thua: “Jam i pasur dhe kam vënë pasuri të madhe. Nuk kam nevojë për asgjë”. Por ti nuk e di që je i mjerë e i gjorë, i varfër, i verbër e i zhveshur. Të këshilloj të blesh nga unë ar të pastruar në zjarr, që të pasurohesh, si dhe rroba të bardha që të mbulohesh e të mos duket turpi i lakuriqësisë sate. Lyej edhe sytë me kolir që të shohësh. Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që dua. Ji, pra, i zellshëm e pendohu! Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas. Nëse dikush ma dëgjon zërin e ma hap derën, unë do të hyj e do të ha darkë me të dhe ai me mua. Atë që fiton do ta vë të ulet me mua në fronin tim, ashtu siç fitova unë dhe u ula me Atin tim në fronin e tij. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti». Pastaj pashë një derë të hapur në qiell dhe zëri, që kisha dëgjuar më parë të më fliste si trumbetë, më tha: «Ngjitu këtu lart! Do të të tregoj ato që duhet të ndodhin më pas». U rrëmbeva menjëherë nga Shpirti. Atje në qiell ndodhej një fron dhe mbi fron rrinte ulur dikush që i ngjante nga pamja një guri diaspri e sardi. Fronin e rrethonte një ylber që ngjante nga pamja me gur smeraldi. Rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone. Mbi këto frone rrinin ulur njëzet e katër pleq veshur me të bardha e me kurora të arta në kokë. Nga froni dilnin vetëtima, zëra e bubullima. Para tij digjeshin shtatë shandanë të ndezur që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë. Para fronit ishte diçka si det i qelqtë që ngjante si kristal. Në qendër, rreth e rrotull fronit ndodheshin katër gjallesa plot me sy para e prapa. Gjallesa e parë ngjante me një luan, e dyta me një viç, e treta e kishte fytyrën si fytyrë njeriu, ndërsa e katërta ngjante me një shqiponjë në fluturim. Secila prej të katër gjallesave kishte nga gjashtë krahë. Përreth e nga brenda ishin plot me sy e nuk pushonin as ditën e as natën së thëni: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti, Perëndia i gjithëpushtetshëm, ai që ishte, që është e që po vjen». Ndërkohë që gjallesat lëvdonin, nderonin e falënderonin atë që rrinte ulur mbi fron, atë që jeton në shekuj të shekujve, të njëzet e katër pleqtë binin përmbys para atij që rrinte ulur mbi fron dhe adhuronin atë që jeton në shekuj të shekujve, hidhnin kurorat e tyre para fronit dhe thoshin: «I denjë je ti, Zoti e Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin e fuqinë, sepse ti ke krijuar gjithçka dhe me vullnetin tënd u bë e u krijua gjithçka». Në të djathtë të atij që rrinte ulur në fron pashë një libër të shkruar në të dyja anët, të vulosur me shtatë vula. Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të lartë: «Kush është i denjë të thyejë shtatë vulat e të hapë librin?». Por, askush, as në qiell, as mbi tokë, as nën tokë, nuk mund ta hapte librin e ta shihte atë. Atëherë unë fillova të qaj shumë, ngaqë nuk u gjet askush i denjë për ta hapur librin dhe për ta parë atë. Një nga pleqtë më tha: «Mos qaj! Ja! Luani nga fisi i Judës, rrënja e Davidit, ngadhënjeu dhe mund t'i thyejë të shtatë vulat e ta hapë librin». Pastaj, pashë një qengj që qëndronte në mes të fronit, të katër gjallesave e pleqve. Ai dukej si i therur dhe kishte shtatë brirë e shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë, të dërguara në të gjithë dheun. Ai shkoi e mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte ulur në fron. Kur Qengji mori librin, katër gjallesat dhe njëzet e katër pleqtë ranë përmbys para tij. Secili kishte nga një harpë dhe kupa të arta të mbushura me temjan që janë lutjet e të shenjtëve. Ata këndonin një këngë të re e thoshin: «I denjë je për të marrë librin dhe për të thyer vulat e tij, sepse u there e me gjakun tënd ke blerë për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull e komb. I bëre mbretër e priftërinj për Perëndinë tonë dhe ata do të mbretërojnë mbi dhe». Pastaj pashë përsëri dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve që kishin rrethuar fronin, gjallesat dhe pleqtë. Numri i tyre ishte me mijëra, me dhjetëra mijëra. Ata thoshin me zë të lartë: «I denjë është Qengji i therur për të marrë pushtetin, pasurinë, urtinë, fuqinë, nderin, lavdinë e bekimin». Pastaj dëgjova çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë, në det, gjithë krijesat e gjithësisë, që thoshin: «Atij, që rri ulur në fron, dhe Qengjit u qoftë bekimi, nderi, lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve». Katër gjallesat thanë: «Amen!», ndërsa pleqtë ranë përmbys dhe adhuruan. Pastaj pashë Qengjin që theu një nga shtatë vulat dhe dëgjova një nga katër gjallesat që më tha me një zë që gjëmonte: «Eja!». Pashë një kalë të bardhë dhe kalorësin që mbante një hark. Atij iu dha një kurorë. Ai u nis si fitimtar dhe për të fituar. Kur Qengji theu vulën e dytë, dëgjova zërin e gjallesës së dytë që më tha: «Eja!». Pastaj doli një kalë tjetër, një kalë i kuq, dhe kalorësit iu dha pushteti të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të vrisnin njëri-tjetrin. Atij iu dha një shpatë e madhe. Kur theu vulën e tretë, dëgjova zërin e gjallesës së tretë që më tha: «Eja!». Pashë një kalë të zi dhe kalorësin që mbante një peshore në dorë. Dëgjova edhe një si zë që dilte nga mesi i katër gjallesave që tha: «Një kilogram grurë për një denar dhe tre kilogramë elb për një denar. Vajin e verën mos i prek!». Kur theu vulën e katërt, dëgjova zërin e gjallesës së katërt që më tha: «Eja!». Pashë një kalë të zbehtë dhe kalorësin që e kishte emrin Vdekja. Pas tij vinte skëterra. Atyre u ishte dhënë pushteti për të vrarë një të katërtën e tokës me shpatë, me zi buke, me epidemi dhe me bishat e tokës. Kur theu vulën e pestë, pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin vrarë për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë që kishin dhënë. Ata thirrën me zë të lartë: «Deri kur, o Sundues i shenjtë dhe i vërtetë, do të presësh për të gjykuar e për të marrë shpagim për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi tokë?». Secilit prej tyre iu dha nga një rrobë e bardhë dhe iu tha të presin edhe pak kohë, derisa të plotësohej numri i bashkëshërbëtorëve dhe i vëllezërve që do të vriteshin si ata. Kur pashë Qengjin të thyejë vulën e gjashtë, ra një tërmet i madh. Dielli u errësua si rrobë vajtimi dhe hëna u bë e tëra si gjak. Yjet e qiellit ranë në tokë, ashtu si bien kokrrat e papjekura nga fiku kur e tund era e fortë. Qielli u zhduk si një pergamenë që mblidhet, ndërsa malet dhe ishujt lëvizën nga vendi. Mbretërit e tokës, të mëdhenjtë, kryemijësit, të pasurit, të fortët, të gjithë, skllevër e të lirë, u fshehën nëpër shpella e nëpër shkëmbinjtë e maleve dhe u thoshin maleve e shkëmbinjve: «Bini mbi ne e na fshihni nga sytë e atij që rri ulur në fron dhe nga zemërimi i Qengjit, sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tyre; e kush mund t'i bëjë ballë asaj?». Pastaj pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës. Ata mbanin katër erërat e tokës, në mënyrë që të mos frynte erë mbi tokë, mbi det apo mbi ndonjë pemë. Pashë edhe një engjëll tjetër, që ngjitej andej nga lind dielli dhe kishte vulën e Perëndisë së gjallë. Ai thirri me zë të fortë katër engjëjt, të cilëve u ishte dhënë pushteti të dëmtojnë tokën dhe detin e u tha: «Mos e dëmtoni as tokën, as detin e as pemët, derisa të vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë». Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga gjithë fiset e bijve të Izraelit. Dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Judës; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Rubenit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Gadit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Asherit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Neftalimit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Manaseut; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Simeonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Levit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Isaharit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Zabulonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Jozefit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Benjaminit. Pastaj pashë një turmë të madhe nga çdo komb, fis, popull e gjuhë, që askush nuk mund ta numëronte. Turma qëndronte para fronit e para Qengjit, veshur në të bardha e me palma në duar. Njerëzit e turmës thërrisnin me zë të lartë: «Shpëtimi vjen nga Perëndia ynë që rri ulur në fron dhe nga Qengji». Të gjithë engjëjt qëndronin përreth fronit, pleqve dhe katër gjallesave. Pastaj ranë përmbys para fronit me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë kështu: «Amen! Bekimi, lavdia, urtia, falënderimi, nderi, fuqia e pushteti janë të Perëndisë tonë, në shekuj të shekujve. Amen!». Atëherë një nga pleqtë më pyeti: «Kush janë këta të veshur me rroba të bardha? Nga kanë ardhur?». Unë iu përgjigja: «Imzot, ti e di». Ai më tha: «Këta janë ata që kanë ardhur nga përndjekja e madhe. Ata i kanë larë rrobat dhe i kanë zbardhur ato me gjakun e Qengjit. Prandaj qëndrojnë para fronit të Perëndisë e i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij. Ai që rri në fron do të banojë përherë mes tyre. Nuk do të kenë më as uri, as etje e as dielli, as i nxehti nuk do t'i djegë më. Qengji që rri në mes të fronit do të jetë bariu i tyre dhe do t'i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre». Kur Qengji theu vulën e shtatë, në qiell u bë heshtje për rreth gjysmë ore. Pastaj pashë shtatë engjëjt që qëndronin para Perëndisë. Atyre iu dhanë shtatë trumbeta. Erdhi edhe një engjëll tjetër dhe qëndroi para altarit duke mbajtur një temjanicë të artë. Atij iu dha shumë temjan, që ta kushtonte bashkë me lutjet e të gjithë të shenjtëve mbi altarin e artë që ndodhet përballë fronit. Nga dora e engjëllit u ngjit drejt Perëndisë tymi i temjanit bashkë me lutjet e të shenjtëve. Pastaj engjëlli mori temjanicën, e mbushi me zjarr nga altari dhe e hodhi mbi tokë. Atëherë shpërthyen bubullima, zëra, vetëtima e tërmete. Shtatë engjëjt, që mbanin shtatë trumbetat, i bënë gati për t'u rënë. I ra trumbetës engjëlli i parë. Atëherë shpërtheu breshër e zjarr përzier me gjak e u lëshua mbi tokë. Një e treta e tokës u dogj bashkë me një të tretën e pemëve dhe me gjithë barin e gjelbër. I ra trumbetës engjëlli i dytë. Atëherë diçka si shkëmb i madh që digjej zjarr u lëshua në det. Një e treta e detit u bë gjak, një e treta e gjallesave të detit ngordhi dhe një e treta e anijeve u shkatërrua. I ra trumbetës engjëlli i tretë. Atëherë një yll i madh që digjej si pishtar, ra nga qielli mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave. Emri i yllit ishte Pelin. Një e treta e ujërave u bë e hidhur si pelini dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat e hidhur. I ra trumbetës engjëlli i katërt. Atëherë u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që të errësohej një e treta e tyre. Kështu dita humbi një të tretën e ndriçimit, po ashtu edhe nata. Pastaj pashë dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte në mes të qiellit duke thirrur me zë të lartë: «Mjerë! Mjerë! Mjerë banorët e tokës, kur të dëgjojnë tingullin e trumbetave të tjera, të cilave do t'u bien tre engjëjt!». I ra trumbetës engjëlli i pestë. Atëherë pashë një yll që kishte rënë nga qielli në tokë. Atij iu dha çelësi i pusit të humnerës. Ai hapi pusin e humnerës dhe prej tij doli tym si tymi i një furre të madhe. Dielli dhe ajri u errësuan nga tymi i pusit. Nga tymi dolën karkaleca mbi tokë dhe atyre iu dha e njëjta fuqi si fuqia e akrepave. Atyre iu tha të mos dëmtonin bimët, as barin dhe as pemët e tokës, por vetëm njerëzit që nuk e kanë vulën e Perëndisë në ballë. Dhe iu dha urdhër të mos i vrasin njerëzit, por t'i mundojnë për pesë muaj. Dhimbja që i mundonte ishte si dhimbja e pickimit të akrepit. Gjatë atyre ditëve njerëzit do ta kërkojnë vdekjen dhe nuk do ta gjejnë. Do të duan të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre. Nga pamja karkalecat ngjanin me kuaj të bërë gati për luftë dhe në kokë mbanin diçka si kurora të arta. Fytyrat i kishin si fytyra njerëzish. Flokët i kishin si flokë grash, ndërsa dhëmbët si dhëmbë luanësh. Në kraharor kishin diçka si parzmore hekuri, ndërsa zhurma që bënin krahët e tyre ngjante me zhurmën e shumë qerreve me kuaj që vrapojnë për luftë. Kishin bishta me thumba si të akrepave dhe gjithë fuqia e tyre për të lënduar njerëzit për pesë muaj qëndronte te bishtat. Për mbret kishin engjëllin e humnerës, i cili në hebraisht quhet Abadon, ndërsa në greqisht e ka emrin Apolion. Njëri mjerim shkoi. Ja tek po vijnë edhe dy mjerime të tjera pas tij. I ra trumbetës engjëlli i gjashtë. Atëherë dëgjova një zë që dilte nga të katër qoshet e altarit të artë, që ndodhet para Perëndisë. Zëri i tha engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: «Zgjidhi katër engjëjt që janë lidhur te lumi i madh i Eufratit!». Të katër engjëjt, që ishin bërë gati për atë orë, për atë ditë, për atë muaj e për atë vit, u zgjidhën për të vrarë një të tretën e njerëzve. Dëgjova numrin e ushtarëve të kalorësisë. Ishte dyqind milionë. Kuajt dhe kalorësit që pashë në vegim kishin parzmore të kuqe si zjarri, të kaltra si hiacinti e të verdha si squfuri. Kokat e kuajve ishin si koka luanësh, ndërsa nga goja e tyre dilte zjarr, tym e squfur. Nga këto tri plagë, nga zjarri, tymi e squfuri që dilte nga goja e kuajve, vdiq një e treta e njerëzve. Sepse fuqia e kuajve qëndronte te goja dhe te bishti i tyre. Bishtat e tyre ngjanin si gjarpërinj, që me kokën e tyre u sillnin dëm njerëzve. Pjesa tjetër e njerëzve, ata që nuk vdiqën nga këto plagë, nuk u penduan për veprat që kishin bërë, por vazhdonin të adhuronin djajtë e idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri apo druri, të cilët nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin. Nuk u penduan as për vrasjet e tyre, as për magjitë e tyre, as për kurvërinë e tyre e as për vjedhjet e tyre. Pastaj pashë një engjëll tjetër të fortë që zbriste prej qiellit. Ai ishte i mbështjellë me re dhe në kokë kishte një ylber. Fytyra e tij ishte si dielli, ndërsa këmbët i kishte si shtylla zjarri. Ai mbante në dorë një libër të vogël të hapur. Këmbën e djathtë e vuri mbi det, të majtën mbi tokë dhe thirri me zë të fortë siç ulërin luani. Kur thirri engjëlli, gjëmuan edhe shtatë bubullimat. Kur gjëmuan shtatë bubullimat, doja të shkruaja, por dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Mbaji të fshehta ato që thanë shtatë bubullimat e mos i shkruaj». Engjëlli që pashë të qëndronte mbi det e mbi tokë ngriti dorën e djathtë drejt qiellit dhe u betua për atë që jeton në shekuj të shekujve, atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe sa janë në to. Ai tha: «Nuk do të vonojnë ditët kur engjëlli i shtatë do t'i bjerë trumbetës dhe atëherë do të përmbushet plani i fshehtë i Perëndisë sipas ungjillit që u dha profetëve, shërbëtorëve të tij». Zëri që dëgjova prej qiellit më foli përsëri e më tha: «Shko dhe merr librin e hapur nga dora e engjëllit që qëndron mbi det e mbi tokë!». Shkova tek engjëlli e i thashë të më jepte librin e vogël. Ai më tha: «Merre dhe gëlltite! Do të ta hidhërojë barkun, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti». E mora librin e vogël nga dora e engjëllit dhe e gëlltita. Ishte i ëmbël si mjalti në gojën time, por kur e hëngra, m'u hidhërua barku. Atëherë më thanë: «Duhet të profetizosh përsëri në shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër». Pastaj më dhanë një shkop matës që ngjante me një skeptër dhe më thanë: «Ngrihu e mat tempullin e Perëndisë dhe altarin e numëro ata që adhurojnë atje. Oborrin e jashtëm të tempullit lëre mënjanë e mos e mat, sepse u është dhënë kombeve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj. Gjatë atyre një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditëve do të dërgoj dy dëshmitarët e mi të veshur me rroba zie për të profetizuar. Këta janë dy ullinjtë dhe dy shandanët që qëndrojnë para Zotit të tokës. Nëse dikush dëshiron t'u bëjë keq, nga goja e tyre do të dalë zjarr që do t'i përpijë armiqtë e tyre. Kështu do të vritet ai që dëshiron t'u bëjë keq. Ata kanë pushtet për të mbyllur qiellin, që të mos bjerë asnjë pikë shi gjatë ditëve kur ata do të profetizojnë. Kanë edhe pushtet t'i kthejnë ujërat në gjak dhe ta godasin tokën me epidemi sa herë të duan. Kur të kenë mbaruar së dëshmuari, bisha që ngjitet prej humnerës do të bëjë luftë me ta, do t'i mundë e do t'i vrasë. Kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili në mënyrë simbolike quhet Sodomë dhe Egjipt, qyteti ku u kryqëzua Zoti i tyre. Njerëzit nga të gjithë popujt, fiset, gjuhët e kombet do t'i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë dhe nuk do të lejojnë t'i varrosin. Banorët e tokës do të gëzohen për ta, do të festojnë e do t'i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i kishin munduar. Por, pas tri ditë e gjysmë shpirti i jetës erdhi nga Perëndia dhe hyri tek ata. Dy dëshmitarët u ngritën në këmbë dhe ata që i shikonin i zuri një frikë e madhe. Atëherë dëgjuan një zë të fortë nga qielli që u tha: “Ngjituni këtu lart!”. Ata u ngjitën në qiell mbi një re dhe armiqtë e tyre i panë. Në atë çast ra një tërmet i madh dhe u shkatërrua një e dhjeta e qytetit. Nga tërmeti u vranë shtatë mijë njerëz, ndërsa të tjerëve u hyri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit». Mjerimi i dytë shkoi. Ja ku po vjen me shpejtësi mjerimi i tretë. I ra trumbetës engjëlli i shtatë. Atëherë në qiell u dëgjuan zëra të lartë që thoshin: «Mbretërimi i botës i përket Zotit tonë dhe Krishtit të tij, ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve». Njëzet e katër pleqtë që qëndronin të ulur nëpër frone para Perëndisë, ranë me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë kështu: «Të falënderojmë, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm, që je e që ishe, sepse e more në dorë fuqinë tënde të madhe dhe mbretëron. Kombet u zemëruan, por ja ku erdhi zemërimi yt! Erdhi koha për të gjykuar të vdekurit, për t'u dhënë shpërblimin shërbëtorëve të tu, profetëve, të shenjtëve, atyre që e druajnë emrin tënd, të vegjëlve e të mëdhenjve dhe për të shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën». Pastaj u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe atje u duk arka e besëlidhjes së tij. Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima, tërmet dhe një breshër i fortë. Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje. Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes. Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla. Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte. Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij. Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë. Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia e mbretëria e Perëndisë tonë dhe pushteti i Krishtit të tij. Paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë, u hodh poshtë. Ata e mundën me gjakun e Qengjit e me fjalën e dëshmisë së tyre dhe ishin gati të jepnin jetën e të vdisnin. Prandaj, gëzohuni, o qiej e ju që banoni atje! Mjerë ju, o tokë e det, se djalli zbriti te ju me zemërim të madh, duke e ditur se i ka mbetur pak kohë». Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit. Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin. Ai mbeti mbi rërën e detit. Pastaj pashë një bishë që doli nga deti. Bisha kishte dhjetë brirë dhe shtatë kokë. Mbi brirë kishte dhjetë kurora të vogla, ndërsa mbi koka kishte emra fyes. Bisha që pashë ngjante me një leopard. Këmbët i kishte si të ariut, ndërsa gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë, fronin dhe pushtetin e tij të madh. Njëra nga kokat e saj dukej si e plagosur për vdekje, por plaga vdekjeprurëse u shërua. Atëherë të gjithë njerëzit e tokës u mrekulluan pas bishës dhe adhuruan dragoin që i kishte dhënë pushtetin bishës. Adhuruan edhe bishën e thanë: «Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?». Bishës iu dha një gojë për të thënë fjalë të mëdha fyese dhe ky pushtet iu dha për dyzet e dy muaj. Atëherë ajo hapi gojën për të fyer Perëndinë, emrin e tij, banesën e tij, si dhe të gjithë ata që banojnë në qiell. Asaj iu dha pushteti të luftojë kundër të shenjtëve dhe t'i mundë ata. Iu dha pushteti edhe mbi çdo fis, popull, gjuhë e komb. Bishën do ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, të cilët që nga krijimi i botës nuk e kanë emrin të shkruar në librin e jetës që i përket Qengjit të therur. Kush ka veshë le të dëgjojë: kush është për t'u zënë rob, rob do të zihet. Kush është për t'u vrarë me shpatë, nga shpata do të vritet. Këtu do të duket durimi dhe besimi i të shenjtëve. Pastaj pashë një bishë tjetër që doli nga toka. Bisha kishte dy brirë si brirë qengji dhe fliste si dragua. Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë para syve të saj dhe detyronte tokën me gjithë banorët e saj të adhuronin bishën e parë, së cilës i qe shëruar plaga vdekjeprurëse. Bisha tjetër bënte shenja të mëdha, sa edhe e bënte zjarrin të zbriste nga qielli në tokë para njerëzve. Ajo mashtronte banorët e tokës me shenjat për të cilat i ishte dhënë pushteti të bënte para syve të bishës së parë. Ajo u tha banorëve të tokës t'i bënin një shëmbëlltyrë bishës që jetonte ende, megjithëse ishte e plagosur nga shpata. Asaj iu dha fuqi për t'i dhënë shpirt shëmbëlltyrës së bishës, që shëmbëlltyra të fliste dhe t'i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk e adhuronin. Bisha i detyroi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të lirë e skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë dhe në ballë. Askush nuk mund të blinte apo të shiste pa pasur damkën me emrin e bishës apo me numrin e emrit të saj. Këtu duhet urti! Kush ka mend, le ta përllogarisë numrin e bishës, sepse ai është numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë. Pastaj pashë Qengjin që qëndronte mbi malin e Sionit. Bashkë me të ishin edhe njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. Atëherë dëgjova një zë nga qielli, që ngjante si ushtima e deteve dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe. Zëri që dëgjova ishte si tingulli që lëshon harpa kur i bien harpistët. Para fronit dhe para katër gjallesave e pleqve këndonin një këngë të re. Askush nuk mund ta mësonte këngën, përveç njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka. Këta janë ata që nuk u përlyen me gra, por mbetën të virgjër. Janë ata që shkojnë pas Qengjit, kudo ku ai shkon. Ata u shpërblyen prej njerëzve për të qenë frytet e para për Perëndinë dhe Qengjin. Nga goja e tyre nuk ka dalë asnjë gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm. Pastaj pashë një engjëll tjetër, që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte një ungjill të amshuar për t'u shpallur banorëve të tokës nga çdo komb, fis, gjuhë e popull. Ai tha me zë të lartë: «Druajeni Perëndinë dhe jepini lavdi, se erdhi ora e gjykimit të tij. Adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën, detin dhe burimet e ujërave!». Një engjëll tjetër erdhi pas të parit e tha: «Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që dehu gjithë kombet me verën e zemërimit të kurvërisë së saj». Një engjëll i tretë erdhi pas tyre e tha me zë të lartë: «Kush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe merr damkën në ballë e në dorë, do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është e papërzier në kupën e zemërimit të tij. Ai do të mundohet me zjarr e squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit. Tymi i mundimit të tyre do të ngrihet në shekuj të shekujve dhe ata që adhurojnë bishën e shëmbëlltyrën e saj dhe kanë marrë damkën e emrit të saj, nuk do të gjejnë prehje as ditën, as natën. Këtu do të duket durimi i të shenjtëve, i atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe ruajnë besimin e Jezuit». Atëherë dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Shkruaj: lum ata që do të vdesin të bashkuar me Zotin që tani e tutje». «Po, thotë Shpirti. Ata do të prehen nga mundimet, sepse veprat e tyre do t'i shoqërojnë pas». Pastaj pashë një re të bardhë, mbi të cilën ishte ulur dikush që ngjante si bir njeriu. Në kokë kishte një kurorë të artë, ndërsa në dorë një drapër të mprehtë. Nga tempulli doli një engjëll tjetër që i thirri me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi re: «Merre draprin e korr, se erdhi koha e korrjes dhe të korrat e tokës janë pjekur». Atëherë ai që rrinte ulur mbi fron e hodhi draprin në tokë dhe toka u korr. Nga tempulli që ishte në qiell doli edhe një engjëll tjetër. Edhe ai mbante një drapër të mprehtë. Një engjëll tjetër doli nga altari. Ai kishte pushtet mbi zjarrin dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë: «Merre draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, se u poq rrushi». Engjëlli e hodhi draprin në tokë, voli vreshtin e tokës dhe rrushin e hodhi në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. Rrushi i vozës u shtrydh jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve dhe u përhap deri rreth treqind kilometra larg. Pastaj pashë në qiell një shenjë të madhe e të mahnitshme, shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit. Me to përfundoi zemërimi i Perëndisë. Pashë edhe diçka si det të qelqtë përzier me zjarr, si edhe ata që kishin mundur bishën, shëmbëlltyrën e saj dhe numrin e emrit të saj. Ata qëndronin mbi detin e qelqtë me harpat e Perëndisë në duar dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë dhe këngën e Qengjit: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm! Të drejta e të vërteta udhët e tua, o mbret i kombeve! Kush nuk do të të druajë ty, o Zot, kush nuk do ta përlëvdojë emrin tënd? Vetëm ti je i shenjtë dhe gjithë kombet do të vijnë e do të të adhurojnë, se u shfaqën të gjitha veprat e tua të drejta». Pastaj pashë se u hap tempulli i tendës së dëshmisë në qiell. Nga tempulli dolën shtatë engjëjt që kishin shtatë plagët. Ata ishin veshur me pëlhura të pastra e të shndritshme, ndërsa kraharorët i kishin ngjeshur me breza të artë. Njëra nga katër gjallesat u dha shtatë engjëjve shtatë kupa të arta, të mbushura me zemërimin e Perëndisë që jeton në shekuj të shekujve. Tempulli u mbush me tymin e lavdisë e të fuqisë së Perëndisë dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaronin të shtatë plagët e shtatë engjëjve. Pastaj nga tempulli dëgjova një zë të lartë që u tha shtatë engjëjve: «Shkoni e derdhni në tokë shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë». Engjëlli i parë shkoi dhe derdhi kupën e tij në tokë. Atëherë një plagë e keqe dhe e dhimbshme i zuri njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin shëmbëlltyrën e saj. Engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det dhe uji i detit u bë gjak si gjaku i të vdekurit dhe të gjitha gjallesat e detit ngordhën. Engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenjtë e në burimet e ujërave dhe ato u bënë gjak. Pastaj dëgjova engjëllin e ujërave që tha: «I drejtë je ti, o i shenjtë, që je dhe që ishe, sepse gjykove drejt. Ata derdhën gjak të shenjtësh e profetësh dhe ti gjak u dhe për të pirë, se e meritonin». Pastaj dëgjova një zë nga altari që tha: «Po, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm, të vërteta e të drejta janë gjykimet e tua». Engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi diell, të cilit iu dha pushtet të djegë njerëzit me zjarr. Njerëzit u dogjën nga nxehtësia e madhe dhe fyen emrin e Perëndisë që ka pushtetin mbi këto plagë, por nuk u penduan për t'i dhënë lavdi atij. Engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës. Atëherë mbretëria e saj u mbulua nga errësira dhe njerëzit kafshonin gjuhën nga dhimbja. Ata fyen Perëndinë e qiellit për dhimbjet e plagët, por nuk u penduan për veprat e tyre. Engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij mbi lumin e madh të Eufratit. Ujërat e lumit u thanë për të përgatitur udhën për mbretërit që vijnë nga lindja e diellit. Pastaj nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë pashë të dilnin tre shpirtra të këqij që ngjanin me bretkosa. Ata janë shpirtra djajsh, që bëjnë shenja dhe janë nisur për të mbledhur mbretërit e gjithë botës për betejën e ditës së madhe të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. «Ja ku po vij si vjedhës! Lum ai që rri zgjuar e i ruan rrobat, që të mos ecë i zhveshur e të turpërohet në sytë e të gjithëve». Shpirtrat i mblodhën njerëzit në vendin që hebraisht quhet «Armagedon». Engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në ajër. Nga froni i tempullit doli një zë i lartë që tha: «U krye!». Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima dhe ra një tërmet i madh. Një tërmet i tillë nuk kishte rënë kurrë mbi tokë që nga krijimi i njeriut. Kaq i fortë qe tërmeti! Qyteti i madh u nda në tri pjesë, ndërsa qytetet e kombeve ranë. Perëndisë iu kujtua Babilonia e madhe dhe i dha asaj kupën e verës së zemërimit të tij të tmerrshëm. Ishujt lëvizën nga vendi, ndërsa malet nuk u panë më. Nga qielli filluan të binin mbi njerëzit kokrra të mëdha breshri të fortë që peshonin secila rreth dyzet kilogramë. Njerëzit fyen Perëndinë për plagën e breshrit, se ajo plagë ishte shumë e rëndë. Pastaj, njëri nga shtatë engjëjt që mbanin shtatë kupat erdhi e më tha: «Eja të të tregoj gjykimin e lavires së madhe, që shtrihet përgjatë ujërave të shumtë. Me të kurvëruan mbretërit e tokës dhe nga vera e kurvërisë së saj u dehën banorët e tokës». Dhe më çoi në shkretëtirë, rrëmbyer nga Shpirti. Atje pashë një grua që rrinte ulur mbi një bishë të kuqe plot me emra fyes. Bisha kishte shtatë kokë e dhjetë brirë. Gruaja ishte veshur me të purpura e të kuqe, e zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë. Në dorë mbante një kupë të artë mbushur me fëlliqësitë dhe ndyrësitë e kurvërisë së saj. Mbi ballë kishte të shkruar një emër me kuptim të fshehtë «Babilonia e madhe, nëna e lavireve dhe e fëlliqësive të dheut». Pastaj pashë gruan që ishte dehur me gjakun e të shenjtëve dhe dëshmorëve të Jezuit. Kur e pashë, shtanga nga habia e madhe. Atëherë engjëlli më tha: «Përse habitesh? Unë do të të tregoj të fshehtën e gruas dhe të bishës me shtatë kokë e dhjetë brirë që e mban gruan. Bisha që pe, jetonte, por nuk jeton më. Ajo do të dalë nga humnera dhe do të shkojë drejt shkatërrimit. Banorët e tokës, që nuk e kanë të shkruar emrin në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të mrekullohen duke parë bishën që jetonte dhe nuk jeton më, por që do të vijë përsëri. Këtu duhet mendje e urtë! Shtatë kokët janë shtatë kodra mbi të cilat rri ulur gruaja. Janë edhe shtatë mbretërit. Pesë prej tyre ranë. Njëri është këtu, ndërsa tjetri nuk ka ardhur ende, por kur të vijë, duhet të qëndrojë për pak kohë. Bisha që jetonte dhe nuk jeton më, është mbreti i tetë, por është edhe një nga të shtatët dhe shkon drejt shkatërrimit. Dhjetë brirët që pe janë dhjetë mbretër, që nuk kanë filluar ende të mbretërojnë. Ata do ta marrin pushtetin si mbretër vetëm për një orë bashkë me bishën. Ata do të jenë në një mendje: fuqinë dhe pushtetin e tyre do t'ia japin bishës. Ata do të luftojnë me Qengjin, por Qengji do t'i mposhtë, sepse është Zoti i zotërve dhe Mbreti i mbretërve. Me të do të fitojnë edhe ata që janë të thirrur, të zgjedhur e besimtarë». Pastaj më tha: «Ujërat që pe, ku rri ulur lavirja, janë popuj, turma, kombe e gjuhë. Dhjetë brirët që pe dhe bisha do ta urrejnë laviren dhe do ta shkretojnë, do ta zhveshin, do t'ia hanë mishin me dhëmbë dhe do ta djegin në zjarr. Sepse Perëndia u dha në zemër të vepronin sipas mendimit të tij, të ishin në një mendje dhe t'ia jepnin mbretërinë e tyre bishës, derisa të plotësoheshin fjalët e Perëndisë. Gruaja që pe është qyteti i madh që sundon mbi mbretërit e tokës». Pastaj pashë një engjëll tjetër që po zbriste nga qielli. Ai kishte pushtet të madh dhe toka u ndriçua nga lavdia e tij. Atëherë engjëlli thirri me zë të lartë: «Ra, ra Babilonia e madhe! Ra e u bë banesë djajsh, strofull e çdo shpirti të ndyrë, shpendi të papastër e bishe të fëlliqur e të urryer. Me verën e zemërimit të kurvërisë së saj u dehën gjithë kombet. Mbretërit e tokës bënë kurvëri me të, ndërsa tregtarët e tokës u pasuruan me kamjen e saj të shfrenuar». Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli që tha: «Populli im, dilni prej saj, që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj e të mos merrni plagë nga plagët e saj. Se, mëkatet e saj arritën deri në qiell dhe Perëndia i kujtoi padrejtësitë e saj. Silluni me të siç u soll ajo me ju, shpërblejani dyfish veprat, ndërsa kupën që ju dha të pini, mbushjani dy herë më shumë. Jepini asaj po aq mundim e vajtim, sa i dha lavdi e kamje vetes, ajo që vazhdon të thotë në zemrën e vet: “Unë rri ulur si mbretëreshë, nuk jam vejushë, nuk do të shoh kurrë vajtim me sy”. Prandaj në një ditë të vetme do të mblidhen plagët e saj: vdekja, vajtimi e zia e bukës. Ajo do të digjet e tëra në zjarr, se Zoti Perëndi që e gjykon është i fuqishëm. Mbretërit e tokës, që bënë kurvëri me të dhe dëfryen me kamjen e saj, do ta qajnë e do të vajtojnë kur të shohin tymin e flakëve të saj. Ata do t'i qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj e do të thonë: “Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh, o qytet i fortë, Babiloni, se brenda një ore të erdhi ndëshkimi!”. Tregtarët e tokës do të qajnë e do të vajtojnë për të, sepse askush nuk ua blen më mallin, mall prej ari e argjendi, gurë të çmuar e margaritarë, pëlhura liri e purpuri, mëndafshi e të kuqe, si dhe gjithfarë drurësh erëmirë e gjithfarë sendesh fildishi e druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri e mermeri, kanellë e parfume, temjane, mirrë e livandë, verë e vaj, majë mielli e grurë, gjedhë e dhen, kuaj e qerre, trupa e shpirtra njerëzish. Ata do t'i thonë: “Gjithë të mirat që dëshironte shpirti yt ikën, gjithë pasuritë e madhështitë morën fund e nuk do t'i gjesh më”. Tregtarët që u pasuruan prej saj do të qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj, do të qajnë e do të vajtojnë duke thënë: “Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh, veshur me li të purpurt e të kuq, zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë, se gjithë kjo pasuri u shkretua për një orë!”. Të gjithë kapitenët e anijeve dhe udhëtarët, detarët dhe ata që punonin në lundrim qëndronin larg e thërrisnin duke parë tymin e flakëve të saj: “Cili qytet ngjan me qytetin e madh?”. Hidhnin dhe mbi kokë e thërrisnin, duke qarë e duke vajtuar: “Mjerë! Mjerë qyteti i madh, me pasurinë e të cilit të gjithë ata që kishin anije në det! u pasuruan. Mjerë, se u shkretua për një orë”. Gëzohu për shkatërrimin e saj, o qiell! Gëzohuni edhe ju të shenjtë, apostuj e profetë, se Perëndia e gjykoi për të keqen që ju bëri». Pastaj një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh sa një gur mulliri, e hodhi në det e tha: «Po kaq furishëm do të hidhet tej edhe Babilonia, qyteti i madh, e nuk do të gjendet kurrë më. Tingulli i harpave e i muzikantëve, fyelltarëve e trumbetarëve, nuk do të dëgjohet më te ti. Asnjë mjeshtër, i çfarëdo mjeshtërie, nuk do të gjendet më aty edhe zhurma e mullirit nuk do të dëgjohet më kurrë. Drita e pishtarit nuk do të ndriçojë më e nuk do të dëgjohet më as zë dhëndri e as zë nuseje. Tregtarët e tu të mëdhenjtë e tokës ishin, me magjinë tënde u mashtruan të gjitha kombet. Në ty u gjet gjak profetësh e të shenjtësh, gjaku i të gjithë atyre që u vranë mbi tokë». Pastaj dëgjova në qiell një si zë të lartë turme të madhe që tha: «Aleluja! Shpëtimi, lavdia e fuqia i përkasin Perëndisë tonë, se gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta. Ai e gjykoi laviren e madhe që e çoi tokën në shthurje me kurvërinë e saj dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij të vrarë nga duart e saj». Pastaj thanë përsëri: «Aleluja! Tymi i shkrumbimit të saj ngjitet lart, në shekuj të shekujve». Atëherë të njëzet e katër pleqtë e të katër gjallesat ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur në fron duke thënë: «Amen! Aleluja!». Pastaj nga froni doli një zë që tha: «Lëvdoni Perëndinë tonë të gjithë ju shërbëtorët e tij dhe ju që e druani, të mëdhenj e të vegjël». Dëgjova edhe një si zë turme të madhe, posi ushtimë detesh e bubullimash të forta që tha: «Aleluja! Mbretëroi Zoti, Perëndia ynë i gjithëpushtetshëm. Le të gëzohemi e të ngazëllehemi, le t'i japim lavdi atij, se erdhi dasma e Qengjit dhe nusja është bërë gati». Asaj i dhanë për të veshur një rrobë të ndritshme prej liri të pastër. Kjo rrobë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve. Pastaj engjëlli më tha: «Shkruaj: lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit». Dhe shtoi: «Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë». Unë rashë përmbys para këmbëve të tij për ta adhuruar, ndërsa ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që ruajnë dëshminë e Jezuit. Adhuro Perëndinë!». Dhe dëshmia e Jezuit është shpirti i profecisë. Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t'i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve». Pastaj pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai u foli me zë të fortë të gjithë shpendëve që fluturonin në mes të qiellit: «Ejani e mblidhuni në darkën e madhe të Perëndisë, që të hani mish mbretërish, prijësish ushtarakë e të fortësh, mish kuajsh e kalorësish, mishin e të gjithë njerëzve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj». Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e tokës me ushtritë e tyre që ishin mbledhur për të luftuar kundër atij që rrinte mbi kalë dhe ushtrisë së tij. Bisha u kap dhe bashkë me të edhe profeti i rremë që në prani të saj bënte shenja, me të cilat mashtronte ata që kishin marrë damkën e bishës dhe që kishin adhuruar shëmbëlltyrën e saj. Pastaj, që të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. Të tjerët u vranë nga shpata që dilte nga goja e kalorësit dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre. Pastaj pashë një engjëll që zbriste nga qielli. Ai kishte çelësin e humnerës dhe në dorë mbante një zinxhir të madh. Ai e kapi dragoin, gjarprin e lashtë, që është Djalli dhe Satani dhe e lidhi për një mijë vjet. E hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi, që të mos mashtronte më kombet, derisa të mbusheshin një mijë vjet. Më pas duhej të zgjidhej edhe për pak kohë. Pastaj pashë disa frone. Atyre që u ulën mbi to iu dha pushteti të gjykojnë. Pashë edhe shpirtrat e atyre që ishin therur për dëshminë e Jezuit dhe për fjalën e Perëndisë që nuk e kishin adhuruar bishën e as shëmbëlltyrën e saj dhe nuk e kishin marrë damkën në ballë e në dorë. Ata u kthyen në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. Të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë, derisa u mbushën një mijë vjet. Kjo është ngjallja e parë. I lum dhe i shenjtë është ai që merr pjesë në ngjalljen e parë. Mbi ta nuk do të ketë pushtet vdekja e dytë, por do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet. Kur të mbushen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu e do të dalë të mashtrojë kombet në të katër qoshet e tokës, Gogun e Magogun, që t'i mbledhë për luftë. Numri i tyre do të jetë sa rëra e detit. Ata u përhapën anekënd tokës dhe rrethuan fushimin e të shenjtëve dhe qytetin e dashur, por nga qielli zbriti flakë e i përpiu. Atëherë djallin që i kishte mashtruar, e hodhën në liqenin e zjarrtë të squfurit, ku ishin edhe bisha me profetin e rremë. Atje do të mundohen ditë e natë, në shekuj të shekujve. Pastaj pashë një fron të madh, të bardhë dhe atë që rrinte ulur në të, para syve të të cilit ishin zhdukur toka dhe qielli e nuk shiheshin më. Pashë edhe të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që qëndronin para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër, libri i jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas veprave të tyre që ishin shkruar në libra. Deti i ktheu të vdekurit që mbante. Po ashtu edhe vdekja e skëterra i kthyen të vdekurit që kishin. Secili u gjykua sipas veprave. Pastaj vdekja e skëterra u hodhën në liqenin e zjarrit. Liqeni i zjarrit është vdekja e dytë. Kush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit. Pastaj pashë një qiell të ri e një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më. Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj. Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha: «Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund». Ai që rrinte ulur në fron tha: «Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!». Dhe shtoi: «U kryen! Unë jam Alfa e Omega, fillimi e mbarimi. Atij që ka etje, do t'i jap të pijë falas nga burimi i ujit të jetës. Ai që fiton, do t'i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri im. Ndërsa frikacakët, të pafetë, ndyrësirat, vrasësit, kurvarët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr e me squfur». Kjo është vdekja e dytë. Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit, e më tha: «Eja të të tregoj nusen, gruan e Qengjit!». Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë. Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor. Ai kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta dhe mbi to qëndronin dymbëdhjetë engjëj. Mbi porta ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi. Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij. Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dy mijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta. Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu. Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi. Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi, i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti. Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm. Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji. Qyteti nuk ka nevojë as për diell e as për hënë që të ndriçohet, sepse atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe pishtari i tij është Qengji. Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e tokës do të sjellin aty lavdinë e tyre. Ditën portat nuk do të mbyllen kurrë dhe atje nuk do të ketë natë. Atje do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve. Në të nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që bën gjëra të pështira a të gënjeshtërta, por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës, libër që i përket Qengjit. Pastaj më tregoi lumin e ujit të jetës, që shkëlqente si kristal e buronte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. Në mes të sheshit të qytetit, në të dyja anët e lumit ishte pema e jetës, që jep dymbëdhjetë fryte, nga një në çdo muaj, ndërsa gjethet e saj shërbejnë për shërimin e kombeve. Nuk do të ketë më asnjë mallkim, por atje do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë. Do të shohin fytyrën e Perëndisë dhe emrin e tij do ta kenë të shkruar në ballë. Nuk do të ketë më natë dhe nuk do të kenë nevojë as për dritën e pishtarit e as për dritën e diellit, sepse do t'i ndriçojë Zoti Perëndi dhe do të mbretërojnë në shekuj të shekujve. Pastaj engjëlli më tha: «Këto fjalë janë të besueshme e të vërteta. Zoti Perëndi, frymëzuesi i profetëve, dërgoi engjëllin e vet t'u tregojë shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti. “Ja ku po vij shpejt!”, thotë Jezui. Lum ai që zbaton fjalët profetike të këtij libri!». Unë, Gjoni, i pashë dhe i dëgjova këto gjëra. Kur mbarova së dëgjuari e së pari, rashë përmbys para këmbëve të engjëllit që m'i tregoi, për ta adhuruar atë. Por ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti, si vëllezërit e tu profetë dhe si ata që zbatojnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!». Pastaj më tha: «Mos i mbaj të fshehta fjalët profetike të këtij libri, se koha e tyre është afër. I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë dhe i ndoturi, i ndotur. I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë dhe i shenjti, të shenjtërohet». «Ja ku po vij shpejt!», thotë Jezui. «Me vete kam shpërblimin që do t'i jap secilit sipas veprave të tij. Unë jam Alfa e Omega, i pari e i fundit, fillimi e mbarimi. Lum ata që i lajnë rrobat e veta, se do të kenë të drejtë të hanë nga pema e jetës e të hyjnë në qytet nga portat. Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan dhe e vënë në zbatim gënjeshtrën. Unë, Jezui, ju kam dërguar engjëllin tim për t'ju dëshmuar këto gjëra nëpër kisha. Unë jam rrënja dhe fisi i Davidit, jam ylli i shndritshëm i mëngjesit». Shpirti dhe nusja thonë: «Eja!». Edhe kush dëgjon, le të thotë: «Eja!». Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës. Unë, Gjoni, po u them të gjithë atyre që dëgjojnë fjalët profetike të këtij libri, se kush u shton ndonjë gjë atyre, edhe Perëndia do t'i shtojë atij plagët që shkruhen në këtë libër. Atij që heq ndonjë gjë nga fjalët profetike të këtij libri, Perëndia do t'ia heqë pjesën nga pema e jetës dhe nga qyteti i shenjtë, që përshkruhen në këtë libër. Ai që i dëshmon këto, thotë: «Po, po vij shpejt». Amen! Eja Zoti Jezu! Hiri i Zotit Jezu qoftë me të gjithë!